Shenjat e sëmundjes së zemrës dhe shenjat e shëndetit të saj

 


Nga libri: Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit 0 Igathetu el Lehefan Fi Mesajidi es Shejtan

Autor: Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibën Kajim el Xheuzije (691-751 H. / 1292-1350)

Përktheu: Bledar Albani


Secili nga organet e trupit është krijuar për funksione të posaçme që lidhen me të, dhe ai organ është i shëndetshëm vetëm nëse kryen funksionet e tij në mënyrë të plotë, përndryshe, nëse nuk mund të kryejë funksionet për të cilat është krijuar, apo nuk mund t’i kryejë si duhet ato, atëherë ai organ është i sëmurë. Sëmundja e dorës është kur ajo nuk mund të kapë gjërat; sëmundja e syrit është kur nuk mund të shohë, ajo e gjuhës kur nuk mund të flasë; sëmundja e trupit është kur ai nuk mund të lëvizë normalisht dhe është i dobët; kurse sëmundja e zemrës është kur ajo nuk mund të bëjë atë për të cilën është krijuar prej njohjes së Allahut të Madhëruar, dashurisë për Të, mallin për takimin me Të, kthimin tek Ai me pendim e adhurim, dhe privilegjimin e këtyre mbi çdo epsh apo dëshirë vetjake.

Sikur njeriu të mësonte çdo gjë, por të mos e njihte Zotin e tij, do të ishte sikur të mos dinte asgjë, edhe sikur të kishte arritur gjithçka nga kjo botë dhe kënaqësitë e dëshirat e saj. Sikur njeriu të mos gjejë dashurinë për Allahun, mallin për Të dhe ndjesinë e prezencës së Tij, është sikur të mos ketë gjetur asnjë lloj kënaqësie, mirësie apo qetësie. Madje, sikur zemra të mos i ketë këto brenda saj, të gjitha ato që ka arritur nga kjo botë do të kthehen në vuajtje e mjerim, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Ai do të vuajë nga të njëjtat gjë me të cilat kënaqej më parë, nga dy këndvështrime: keqardhja për mbarimin e tyre dhe se ai nuk mund t’i arrijë më ato, ndërkohë që shpirti i tij është shumë i lidhur me to, dhe nga këndvështrimi i humbjes së asaj që ishte më e mirë, më e dobishme dhe më e qëndrueshme për të, por që nuk mundi ta arrijë. Kështu, ajo që dëshironte aq shumë mbaroi, kurse ajo që është dëshira më e madhe, nuk mundi ta gjejë. Kushdo që e njeh Allahun e do Atë dhe e adhuron Atë sinqerisht, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Ky nuk paraprin asnjë dëshirë para Allahut, sepse kushdo që i jep përparësi një dëshire vetjake mbi ligjin e Allahut, zemra e tij ëshë e sëmurë, ashtu si edhe stomaku kur mësohet të hajë gjëra të ndyra dhe i paraprin ato mbi gjërat e mira e të lejuara, ai stomak do ta humbasë të shijuarit e të mirës dhe do të mësohet me pëlqimin e të keqes.

Zemra mund të sëmuret dhe sëmundja e saj mund të avancojë shumë, ndërsa njeriu ende të mos e dijë këtë gjë për shkak të preokupimit dhe largimit nga njohja e shëndetit të zemrës dhe shkaqeve të tij. Madje zemra mund të vdesë dhe i zoti i saj të mos e ndjejë këtë gjë, dhe shenja e kësaj është kur personit nuk i dhembin më plagët e veprave të shmëtuara, as injoranca e tij në njohjen e të vërtetës dhe të besimeve të tij të kota. Nëse në zemër ka jetë, ajo dhemb kur përballet me diçka të shëmtuar, dhe dhemb për shkak të injorancës dhe mosnjohjes së të vërtetës, në varësi të jetës që ka në atë zemër; por i vdekuri nuk mund të ndiejë dhimbje nga plagosja!

Dikush mund ta ndiejë sëmundjen e zemrës së vet, por i duket e vështirë të durojë hidhtinë e ilaçit që e kuron atë, kështu që i jep përparësi mbajtjes së dhimbjes mbi hidhtinë e ilaçit. Dihet që ilaçi i tij është kundërshtimi i epshit dhe dëshirës vetjake, e cila është gjëja më e vështirë për të, por që nuk ka më të dobishëm për të se kjo.

Ndonjëherë njeriu e bën veten e tij të durojë, por pastaj i humb vullneti dhe nuk vazhdon me durim, për shkak të dobësisë që ka në dije, mprehtësi dhe durim; si ai që hyn në një rrugë të frikshme por që çon në sigurinë e plotë, dhe ai e di se nëse do të duronte, frika do të kalonte dhe pas saj do të vinte siguria. Pra, ai ka nevojë për forcë të durimit dhe forcë të bindjes për atë që e pret. Nëse durimi dhe bindja e tij dobësohet, ai do të kthehet nga rruga dhe nuk do e përballojë lodhjen e saj, sidomos nëse nuk ka shok dhe është i vetëm, dhe fillon të thotë: “Ku kanë shkuar njerëzit, që të ndjek rrugën e tyre?” Kjo është gjendja e shumicës së njerëzve dhe kjo gjë i ka shkatërruar ata.

Durimi i sinqertë nuk të lë të ndjehesh i vetmuar për shkak të numrit të pakët të shokëve apo të mungesës totale të tyre. Nëse zemra ndjen shoqërinë e udhëheqësve të parë shpirtërorë “të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi të madhe[1]: pejgamberët[2], të sinqertët[3], dëshmorët[4] dhe të mirët[5]! Eh sa shokë të mirë janë ata!”[6] [En Nisa, 69], atëherë vetmia në këtë rrugë është provë e sinqeritetit në kërkimin e saj.

Is’hak ibën Rahavejh u pyet për një çështje të caktuar, dhe ai u përgjigj për të, por pastaj i thanë: “Vëllai yt, Ahmed ibën Hanbel thotë të njëjtën gjë si ti në këtë çështje.” Ai tha: “Nuk mendoja se ndokush ishte dakord me mua në këtë çështje.” Megjithatë, ai nuk ndjehej i vetmuar pse nuk kishte dikë që e mbështeste në atë çështje, pasi që iu bë i qartë mendimi më i saktë në atë çështje. Kur e vërteta shfaqet dhë bëhet e qartë, nuk ka nevojë për dëshmitar që të dëshmojë për të.

Zemra e sheh të vërtetën ashtu si syri e sheh diellin. Kur ti e sheh diellin me sytë e tu, nuk ke nevojë për dëshmitarë që të mbështesin në këtë gjë, përderisa në dijen dhe bindjen tënde dielli ka lindur dhe është në qiell.

Shumë mirë e ka thënë Ebu Muhamed Abdurrahman ibën Ismail, i njohur me kunjën Ebu Shameh, në librin “Të rejat dhe bidatet”: “Meqenëse ka ardhur urdhri për të qëndruar me grupin e muslimanëve: qëllimi është që t’i përmbahesh të vërtetës dhe ta pasosh atë, edhe nëse ata që kapen për të janë të pakët dhe kundërshtuesit e saj të shumtë; sepse e vërteta është rruga e grupit të parë në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe shokëve të tij, kurse numri i madh i ndjekësve të së kotës pas tyre nuk merret parasysh.”

Amër ibën Mejmun el Udi thotë: “Shoqërova Muadhin (radiallahu anhu) në Jemen, dhe nuk iu ndava atij deri sa e mbulova me dhe në Levant (Siri). Pas tij shoqërova njeriun më të ditur me ligjet e sheriatit, Abdullah ibën Mesudin (radiallahu anhu), dhe e kam dëgjuar atë të thotë: “Qëndroni me grupin e muslimanëve, sepse Dora e Allahut është me grupin.” Më pas e dëgjova një ditë të thoshte: “Do udhëhiqeni nga disa prijësa, të cilët do e vonojnë namazin nga koha e vet, por ju faleni namazin në kohën e vet, dhe ai namaz që do falni në kohën e vet është namazi juaj i detyruar (farzi), kurse më pas faluni përsëri me ata (prijësit, apo me imamin në xhami që do të falet me vonesë), por ky do të jetë nafile për ju (namaz vullnetar).” Unë (Amri) thashë: “O shokët e Muhamedit! Nuk po e kuptoj çfarë po na thoni?” Ibën Mesudi tha: “Çfarë po të themi?” I thashë: “Më urdhëron të qëndroj me grupin e muslimanëve (d.m.th. me prijësit) dhe më shtyn shumë për këtë gjë, pastaj më thua: Falu vetëm në shtëpi, dhe kjo do të jetë namazi farz për ty, pastaj falu me grupin dhe ky do të jetë namaz vullnetar për ty?” Ibën Mesudi tha: “O Amër ibën Mejmun! Mendoja se ishe njeriu që kuptonte më shumë fenë në këtë qytet! A e di ti se çfarë është grupi (xhemati)?” Unë i thashë: “Jo!” Ai tha: “Shumica e grupit që e kanë lënë grupin. Grupi është ai që ndjek të vërtetën, edhe nëse je vetëm.”[7]

Në një transmetim tjetër thotë: “Ibën Mesudi më goditi lehtë mbi kofshë dhe më tha: “Mjerë ti! Shumica e njerëzve e kanë lënë grupin. Grupi është t’i përmbahesh bindjes ndaj Allahut të Madhëruar.” Nuajm ibën Hamad thotë: “Domethënia e fjalës së Ibën Mesudit është se kur grupi (shumica e njerëzve) prishet, atëherë duhet t’i përmbahesh rrugës në të cilën ishte grupi para se të prishej, edhe nëse mbetesh vetëm; sepse në këtë rast do të jesh ti grupi.” Këtë e ka përmendur Bejhakiu, e të tjerë.[8]

Ebu Shameh tregon se Mubareku ka transmetuar se Hasen el Basri ka thënë: “Betohem në Atë, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, se Suneti (rruga profetike) është mes tepruesit në të dhe lënësit total të saj. Duroni në sunet, Allahu ju mëshiroftë! Ndjekësit e sunetit kanë qenë më të paktët në kohët e mëparshme, dhe ata janë më të paktët në kohën që ka mbetur (nga kjo botë); janë ata që nuk kanë shkuar me tepruesit në teprimin e tyre, as me ndjekësit e bidatit në bidatet e tyre, por duruan në sunetin e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) deri sa takuan Zotin e tyre. Pra, kështu të jeni, inshaAllah!”[9]

Muhamed ibën Eslem et Tusi, imami për të cilin kanë dëshmuar të gjithë, ishte nga njerëzit që e pasonte më shumë Sunetin në kohën e tij, sa që tha: “Nuk kam mësuar ndonjë nga sunetet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) veçse e kam praktikuar atë; madje u përpoqa të bëja tavaf në Qabe duke qenë mbi deve, por nuk mu dha mundësia për këtë.”

U pyet dikush nga dijetarët (Ibën Rahavejh) për Shumicën e përmendur në hadithin ku thuhet: “Kur të kundërshtohen njerëzit me njëri-tjetrin, përmbajuni Shumicës!”[10] Kush është kjo Shumicë? Ai tha: “Muhamed ibën Eslem et Tusi është Shumica.”[11]

Të vërtetën ka thënë, pasha Allahun! Nëse në një kohë të caktuar ekziston një dijetar që e njeh mirë sunetin e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe therret tek ai, atëherë ai dijetar është argument dhe ai është grupi dhe shumica; ai është rruga e besimtarëve, të cilën kushdo që e lë dhe ndjek rrugë tjetër, Allahu e lë atë në dorë të asaj që ka ndjekur, pastaj do e fusë në Zjarr, dhe ky është përfundimi më i keq!

Qëllimi është se nga shenjat e sëmundjeve të zemrës është largimi i saj nga ushqimet e dobishme dhe të përshtatshme për të, për të shkuar te ushqimet e dëmshme; dhe largimi nga ilaçi i dobishëm te ilaçi i dëmshëm. Pra, këtu janë katër gjëra: Ushqim i dobishëm dhe ilaç kurues, ushqim i dëmshëm dhe ilaç vrasës.

Shenjat e zemrës së shëndetshme

Zemra e shëndetshme është ajo që i jep përparësi të dobishmes dhe shërueses mbi të dëmshmes dhe dëmtueses, kurse zemra e sëmurë bën të kundërtën e kësaj.

Ushqimi më i dobishëm është ushqimi i besimit, kurse ilaçi më i dobishëm është ilaçi i Kuranit; që të dyja këto përmbajnë ushqim dhe ilaç.

Nga shenjat e zemrës së shëndetshme është gjithashtu nisja nga kjo botë për të zbritur në botën tjetër dhe të zësh vend atje; sikur të ishe nga banorët e botës tjetër dhe bijtë e saj, megjithëse je në këtë botë, ku ke ardhur si i huaj dhe udhëtar, dhe ku merr vetëm atë që të nevojitet për t’u kthye te vendi yt i origjinës; ashtu si i tha i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) Abdullah ibën Umerit (radiallahu anhu): “Qëndro në këtë botë sikur të jesh i huaj ose udhëtar, dhe numëroje veten tënde me banorët e varrezave!”[12]

Eja në kopshtet e Adenit sepse ato

Janë shtëpia jote e parë dhe atje janë çadrat

Por tani jemi robër të armikut, a thua

Do të kthehemi te atdheu ynë dhe do të shpëtojmë?

Ali ibën Ebi Talib (radiallahu anhu) thotë: “Kjo botë ka kthyer shpinën dhe po ikën, kurse bota tjetër është duke ardhur. Secila prej këtyre dy botëve ka njerëzit e vet, por ju bëhuni nga njerëzit e botës tjetër dhe jo të kësaj bote; sepse sot punohet por nuk ka llogari, kurse nesër do të ketë llogari por nuk do të ketë punë.”[13]

Sa më shumë të shërohet zemra nga sëmundjet e saj, aq më shumë shkon ajo drejt botës tjetër dhe aq më shumë afrohet prej saj, deri sa të bëhet prej banorëve të saj; dhe e kundërta, sa më shumë të sëmuret zemra, aq më shumë i jep përparësi kësaj bote dhe aq më shumë ngulet në të, deri sa të bëhet prej banorëve të saj.

Nga shenjat e zemrës së shëndetshme është se ajo vazhdon ta godasë të zotin e saj, derisa ky të kthehet tek Allahu dhe të përgjërohet para Tij, derisa të lidhet me Allahun ashtu si lidhet i dashuruari nevojtar me atë që do, pa të cilin ky nuk ka jetë, as shpëtim, as kënaqësi, as lumturi veçse me arritjen e pëlqimit të Tij, afërsisë me Të dhe shoqërisë së Tij. Me të qëtësohet, tek Ai prehet, tek Ai pushon, me Të gëzohet, tek Ai mbështetet, Atij i beson, tek Ai shpreson, Atë ka frikë. Përmendja e Tij është ushqimi dhe buka e tij; dashuria dhe malli për Të është jeta, kënaqësia, shijimi dhe gëzimi i tij; kurse kthyerja e kokës tek dikush tjetër përveç Tij dhe lidhja me të është sëmundja e tij; kthimi tek Ai është ilaçi i tij.

Nëse ndodh kjo, ai do të prehet te Zoti i vet dhe do të ndiejë sigurinë e Tij; paqëndrueshmëria dhe meraku i tij do të largohen; dhe ajo nevojë e madhe e zemrës do të përmbushet, sepse me të vërtetë, zemra ka një nevojë të madhe që nuk e mbush veçse Allahu i Madhëruar; ka një zhubrosje që nuk e shtron veçse afrimi tek Ai; ka një sëmundje që nuk e shëron veçse sinqeriteti për Allahun dhe adhurimi vetëm Atë. Kjo zemër e godet gjithnjë padronin e saj, deri sa ai të prehet dhe të qetësohet tek Zoti dhe i Adhuruari i tij. Vetëm atëherë shpirti fillon jetën, provon shijen e saj dhe atij i vjen një jetë tjetër, ndryshe nga jeta e të pavëmendshmëve që i kanë kthyer shpinën kësaj gjëje, për të cilën janë krijuar të gjitha krijesat, dhe për të cilën janë krijuar Xheneti dhe Zjarri, janë dërguar të dërguarit dhe janë zbritur Librat. Edhe sikur të mos kishe shpërblim për adhurimin e Zotit tënd, thjesht ekzistenca jote (reale, me jetën e shpirtit) do të ishte e mjaftueshme për të qënë shpërblim, ndërsa humbja e kësaj ekzistence (e jetës së shpirtit) do të mjaftonte për të qënë dënim dhe trishtim.

Dikush nga dijetarët që e njohin mirë Allahun ka thënë: “Të shkretët banorët e dynjasë, dolën nga kjo botë dhe nuk shijuan gjënë më të shijshme të saj?” E pyetën: “Cila është gjëja më e shijshme e saj?” Ai tha: “Dashuria për Allahun, ndjesia e shoqërimit të Tij, malli për takimin me Të, kënaqja me përmendjen e Tij dhe bindjen ndaj Atij.”[14]

Një tjetër ka thënë: “Kaloj disa çaste, gjatë të cilave them: “Sikur banorët e xhenetit të shijojnë këtë gjë, ata janë vërtet në një jetë të mirë.”[15]

Ndërsa një tjetër ka thënë: “Betohem në Allahun që kjo botë nuk të shijon aspak veçse me dashurinë për Allahun dhe bindjen ndaj Tij, dhe as Xheneti nuk do të shijojë veçse me shikimin tek Allahu drejt për drejt.”[16]

Ebu el Husejn el Uerak ka thënë: “Jeta e zemrës qëndron në përmendjen e të Gjallit, i Cili nuk vdes kurrë, kurse jetesa e begatë është vetëm të jetosh me Allahun dhe me asgjë tjetër.”

Prandaj, humbja (e veprës së mirë) është më e rëndë se vdekja për ata që e njohin Allahun, sepse kjo humbje është shkëputje apo ndarje nga i Vërteti, kurse vdekja është shkëputje dhe ndarje nga krijesat; a e sheh sa i madh është dallimi mes dy ndarjeve?!

Dikush tjetër (prej dijetarëve adhurues) ka thënë: “Kush kënaqet me Allahun e Madhëruar, kënaqen me të që të gjithë ata që e shohin, dhe kush nuk kënaqet me Allahun, zemra e tij copëtohet nga pikëllimi për humbjen e dynjasë.”

Jahja ibën Muadh ka thënë: “Kush gëzohet me shërbimin ndaj Allahut, atëherë që të gjitha gjërat gëzohen me shërbimin ndaj tij; dhe kush kënaqet me Allahun, kënaqen me të që të gjithë ata që e shohin atë.”

Nga shenjat e shëndetit të zemrës është gjithashtu: mos-pushimi nga përmendja e Allahut, mos-lodhja nga shërbimi ndaj Tij, mos-largimi i ndjenjës së vetmisë me dikë apo diçka tjetër përveç Allahut, përveç me dikë që e drejton drejt Allahut dhe i kujton atij Allahun.

Nga shenjat e shëndetit të zemrës është gjithashtu: ndjenja e dhimbjes për humbjen e pjesës së zakonshme ditore të leximit nga Kurani apo të përmendjes së Allahut, më shumë se dhimbja e atij që e do shumë pasurinë dhe i humb një pjesë e saj.

Nga shenjat e shëndetit të zemrës është gjithashtu: malli për të qenë në shërbim të Allahut, njësoj si malli i të uriturit për të ngrënë e për të pirë.

Nga shenajt e shëndetit të zemrës është gjithashtu: largimi i shqetësimit dhe pikëllimit për dynjanë menjëherë sa futesh në namaz, dhe mos-dashja e daljes nga namazi, për shkak të qetësisë, lumturisë, kënaqësisë dhe gëzimit që ndjen zemra në të (namaz).

Nga shenjat e shëndetit të zemrës është gjithashtu: që shqetësimi i saj të jetë vetëm një, e ai të jetë për Allahun.

Nga shenjat e shëndetit të zemrës është gjithashtu: kopracia në kohë, që të mos humbësh asnjë çast të saj (pa qënë në shërbim të Allahut), më shumë se kopracia e njeriut më koprac në pasurinë e tij.

Prej atyre shenjave është gjithashtu: tregimi i kujdesit për bërjen e veprës sa më mirë, më tepër se vetë vepra; duke u kujdesur për sinqeritetin, këshillën, pasimin e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe duke ndjerë që Allahu të sheh; dhe bashkë me këtë të dëshmosh mirësinë e Allahut mbi ty dhe neglizhimin tënd në të drejtën e Allahut.

Këto janë gjashtë tablo, të cilat nuk i sheh veçse zemra e gjallë dhe e pastër.

Për ta përmbledhur, zemra e shëndetshme është: ajo zemër që e ka të gjithë shqetësimin në lidhje me Allahun, të gjithë dashurinë për Allahun, të gjithë qëllimin për Allahun, trupin për Allahun, veprat për Allahun, gjumin për Allahun, zgjimin për Allahun; Fjala e Allahut dhe që të flitet për Allahun është më e dashur për të se çdo bisedë tjetër; mendimet e saj sillen rreth gjërave që Allahu i pëlqen dhe i do, dhe të qëndruarit vetëm me Allahun është më e dashur për të se të përziehet me njerëzit, përveç në rastet kur përzierja me njerëzit është më e dashur për Allahun dhe më e pëlqyeshme tek Ai (siç janë namazet në xhami apo në ditën e xhuma dhe në festat e Bajrameve); kënaqësia e saj është me Allahun, qëtësia dhe siguria vetëm te Allahu. Sa herë që kupton se vetja po anon nga dikush tjetër përveç Allahut, i kujton asaj fjalën e Allahut: “O ti shpirt i qetë! Kthehu te Zoti yt, duke qenë i kënaqur me Të dhe Ai i kënaqur me ty!” [El Fexhr, 27-28]. Duke ia përsëritur vetes me zë këtë bisedë që ta dëgjojë atë nga Zoti i tij në ditën e takimit me Të, dhe kështu zemra lyhet me ngjyrën e adhurimit para Zotit dhe të Adhuruarit të saj, derisa adhurimi të bëhet cilësi dhe shije, dhe jo paraqitje e jashtme; por e bën adhurimin me dëshirë, dashuri dhe afrim te Allahu, ashtu si shkon i dashuruari tek ai që dashuron, duke i shërbyer dhe plotësuar ato që ai do.

Sa herë që përballet me një urdhër apo ndalesë nga Zoti i tij, njeriu (me zemër të pastër) e ndjen menjëherë nga zemra që flet dhe thotë: “Si urdhëron! Të përgjigjem me gjithë kënaqësinë! Dëgjoj dhe bindem e zbatoj, sepse Ti, o Zoti im, ke të gjithë mirësinë ndaj meje, dhe i gjithë lavdërimi dhe lavdia për këtë të përket vetëm Ty!”

Dhe nëse i bie ndonjë e keqe, ai e ndjen zemrën t’i thotë: “Unë jam robi Yt, që të kam nevojën, që jam i varfër, i pafuqishëm, i dobët, i shkretë, kurse Ti je Zoti im, më i Forti, Mëshirëploti; Unë nuk mund të duroj nëse Ti nuk më bën të duroj; Unë nuk kam fuqi nëse Ti nuk mund më mban e nuk më forcon; Unë nuk kam strehim tjetër për t’u ruajtur nga Ti (ndëshkimi Yt) veçse duke u strehuar po tek Ti; Unë nuk kam ndihmës tjetër përveç Teje, nuk mund të largohem nga dera Jote dhe nuk kam ku të shkoj tjetër përveç se tek Ti.”

Kështu, duke u derdhur i gjithi para Allahut, duke u mbështetur tërësisht tek Ai, nëse të vjen ndonjë e keqe, thuaj: “Kjo është mëshirë që më është dhuruar nga Allahu dhe ilaç i dobishëm nga një Doktor i Mëshirshëm.” Dhe nëse të humb diçka që e ke dashur, thuaj: “Ishte një e keqe që m’u largua!”

Sa herë kam dashur diçka, kurse Ti zgjodhe për mua largimin e saj

Dhe vazhdon të jesh me mua edhe më i Butë dhe më i Mëshirshëm!

Sa herë që njeriut me zemër të shëndetshme i vjen një e mirë apo një e keqe, ai e merr atë për rrugë që të afrohet tek Allahu, dhe nëpërmjet saj atij i hapet një derë për të hyrë tek Allahu.

Nuk më ka ardhur ndonjë caktim i keq apo i mirë

Veçse e kam marrë atë si rrugë për tek Ti

Prandaj, plotësoje caktimin Tënd me gjithë kënaqësinë time

Sepse unë të kam gjetur Ty Mbështetës në fatkeqësinë time

O Zot! Çfarë zemrash janë këto dhe çfarë ndërgjegje e pastërtie kanë! Çfarë thesaresh janë ruajtur brenda tyre! O Zot! Sa të mira janë ato që fshehin këto zemra, sidomos atë ditë kur do të dalin të fshehtat hapur!

Do të dalë prej tyre aromë, dritë, bukuri

dhe lavdërim, atë ditë kur të zbulohen të fshehtat

Po, për Allahun! U ngrit një flamur i madh për këto zemra, dhe ato vrapuan drejt tij, iu bë e qartë rruga e drejtë dhe qëndruan me vendosmëri mbi të; i thirrën për t’i larguar nga qëllimi i tyre më i lartë, por nuk iu përgjigjën kurrë asaj thirrje (të shejtanit); por zgjodhën rrugën e Allahut mbi çdo rrugë tjetër dhe atë që është tek Allahu mbi çdo gjë tjetër.

 


[1] Udhëzimin në rrugën e drejtë dhe suksesin për t’iu bindur Atij në këtë botë, dhe xhenetin në botën tjetër.

[2] Ata të cilët Allahu i zgjodhi dhe i veçoi me shpalljen e Tij.

[3] Ata që besojnë me vendosmëri të plotë atë që Allahu ua ka shpallur pejgamberëve të Tij, dhe që e zbatojnë atë (të vërtetën që ka ardhur nga Allahu) me bindje të plotë në veprat, fjalët dhe gjendjet e tyre.

[4] Ata të cilët luftojnë dhe vriten në rrugë të Allahut për ngritjen e Fjalës së Allahut.

[5] Ata të cilët janë të mirë në zemër, në fjalë dhe në vepër.

[6] Për t’u bashkuar me ta në xhenetet e begatë dhe për të qenë në shoqërinë e tyre, pranë Zotit të botëve.

[7] El Lalikai, në librin “Sqaruesi i bazave të bindjes dhe besimit”, faqe (160).

[8] Ibën Asakir në Historinë e Damaskut (46/409) nga transmetimi i Bejhakiut.

[9] Ed Darimi (216), El Mervezi në librin “Madhërimi i vendit të Namazit”, 743; Teksti është në librin e Ebi Shameh (f. 16).

[10] Hadith i dobët. Ed Daife i shejh Albanit (2896).

[11] Ebu Nuajm në librin “El Hiljeh”, (9/238-239).

[12] Es Sahiha (3/148). Buhariu e ka nxjerrë në Sahihun e tij (6053) por pa fjalën “numëroje veten tënde nga banorët e varrezave!”

[13] E ka përmendur Buhariu Mualak (pa sened), në Kapitullin “Er Rikak”, kurse Ibën Mubarek e ka përmdur me sened në librin “Ez Zuhd” (86), po kështu Ibën Shejbeh në El Musannef (7/100), Ahmedi në Ez Zuhd (f. 130), Ebu Nuajm në El Hiljeh (1/76).

[14] Fjalë të ngjashme ka transmetuar Ebu Nuajm në El Hiljeh (8/167), nga Abdullah ibën El Mubarak.

[15] E ka përmendur Ibën Kethiri në “El Bidaje uen Nihaje” (10/257), nga Ebu Sulejman ed Darani.

[16] E ka transmetuar Ebu Nuajm në El Hiljeh (9/372), nga Dhennun el Misri.