SURJA ET TEUBE – PENDIMI

(Surja Nr. 9, Medinase, 129 ajete)

  1. Deklaratë shkëputjeje,[1] nga ana e Allahut dhe të Dërguarit të Tij,[2] drejtuar atyre me të cilët keni lidhur traktat prej idhujtarëve.[3]
  2. Pra, udhëtoni të sigurt nëpër Tokë edhe katër muaj (O idhujtarë),[4] por ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut[5] dhe se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit;[6]
  3. Ky është njoftim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh,[7] se Allahu ka shkëputur çdo traktat me idhujtarët, dhe po ashtu i Dërguari i Tij.[8] Nëse ju (idhujtarë) pendoheni, është më mirë për ju;[9] por, nëse largoheni[10] – dijeni se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut![11] Dhe përgëzoji mohuesit me një dënim të dhembshëm.[12]
  4. Përjashtim bëjnë vetëm ata idhujtarë,[13] me të cilët keni lidhur traktat e ata nuk ju kanë cenuar asgjë prej tij dhe nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush; Traktatin e këtyre respektojeni deri në fund të afatit.[14] Me të vërtetë, Allahu i do ata që i ruhen Atij.[15]
  5. Kur të kalojnë muajt e shenjtë,[16] atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i gjeni,[17] i zini robër, i rrethoni[18] dhe u zini pusi në çdo shteg! Por, nëse ata pendohen,[19] falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të lirë![20] Vërtet, Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[21]
  6. E nëse ndokush nga idhujtarët kërkon besën tënde (Muhamed), atëherë jepi besë, që ai të dëgjojë fjalën e Allahut,[22] pastaj përcille në vendin e tij të sigurisë.[23] Kjo, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.[24]

[1] Kjo është deklaratë shkëputjeje dhe prishje e traktatit të paqes që besimtarët kishin bërë me idhujtarët.

[2] Dhe besimtarëve që ishin me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), pasi që çdo marrëveshje që bënte i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), e bënte në emër të tyre dhe ata ishin të kënaqur me këtë gjë padyshim.

[3] Kjo deklaratë përfshinte prishjen e marrëveshjeve të paqes që ishin mes muslimanëve dhe idhujtarëve e mohuesve, që ishin të pa-afatizuara ose me afat më pak se katër muaj nga dita e deklaratës; këto marrëveshje do të prisheshin brenda katër muajve, pra afati që kishte pala idhujtare për t’u përgatitur në rast të çdo sulmi nga pala muslimane dhe afati ku ata mund të lëviznin të lirshëm dhe pa asnjë frikë se mund të sulmoheshin nga muslimanët, ishte katër muaj. Kurse ato marrëveshje që ishin me afat më të gjatë se katër muaj nga dita e deklaratës, do të zbatoheshin nga muslimanët deri në fund të afatit, përveç nëse do të vërehej ndonjë tradhti nga pala idhujtare, atëherë marrëveshje prishej automatikisht, siç thuhet në ajetin numër 4, në vijim.

[4] Katër muaj pas ditës së këtij deklarimi për prishjen e marrëveshjes, idhujtarët ishin të lirë të udhëtonin dhe të lëviznin të sigurtë nga muslimanët, sepse ata nuk do i sulmonin brenda këtyre katër muajve, por me përfundimin e tyre, ata do të ishin në gjendje lufte dhe mund të sulmoheshin në çdo çast.

[5] As gjatë këtyre katër muajve as pas përfundimit të tyre, sepse kurdo dhe kudo që të jeni, do të jeni në pushtetin dhe sundimin e Allahut, dhe Allahu mund t’ju ndëshkojë në çko kohë, prandaj ky është një rast i mirë për ju që të futeni në Islam.

[6] Ata që vazhdojnë në mohim dhe politeizëm, padyshim se Allahu do i poshtërojë ata në këtë botë dhe në botën tjetër, sepse kjo është mënyra me të cilën Allahu i trajton dhe i ndëshkon mohuesit, të cilët megjithëse i shohin qartë provat e Allahut, i përgënjeshtrojnë ato dhe vazhdojnë në mohim e idhujtari.

[7] Ditën e parë të therrjes së Kurbanit, ditën e Kurban Bajramit. Është quajtur Haxhi i madh, për dallim nga Umrah, e cila është gjithashtu vizitë e vendeve të Shenjta, por quhet haxh i vogël, sepse është e kufizuar vetëm me disa nga ritet e Haxhit të madh. Bëhet fjalë për haxhin e vitit 9 të hixhretit – nga emigrimi i të Dërguarit të Allahut nga Meka në Medine – haxh në të cilin i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk mori pjesë, por ngarkoi Ebu Bekrin (radiallahu anhu) që t’i udhëhiqte besimtarët në haxh, dhe ngarkoi Aliun (radiallahu anhu) që të thirrte me zë të lartë në ditën e madhe të Haxhit, duke lexuar ajetet e para nga kjo sure (Teube), që t’i dëgjonin të gjithë pelegrinët nga i gjithë Hixhazi dhe Gadishulli Arabik, muslimanë e jo-muslimanë; ditë në të cilën u ndalua që në haxh të shkonte ndonjë idhujtar pas atij viti. Idhujtarët arab bënin haxh që para Islamit, dhe këtë e kishin të trashëguar nga Ismaili dhe Ibrahimi (alejhima selam).

[8] Duke filluar që nga kjo ditë dhe ky haxh, i vitit të 9-të Hixhri, Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe bashkë me ta edhe besimtarët, kanë prishur çdo marrëveshje paqeje me idhujtarët, dhe nuk kanë asnjë detyrim ndaj tyre dhe nuk kanë të bëjnë aspak me ta.

[9] Nëse pendoheni nga mohimi dhe idhujtaria juaj, dhe ktheheni në Njësimin e Allahut dhe bindjen ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij, dhe adhuroni vetëm Allahun me sinqeritet dhe pa i bërë shok Atij, padyshim se kjo është më e mirë për ju në këtë botë dhe në botën tjetër.

[10] Nëse largoheni nga besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe vazhdoni të qëndroni në idhujtarinë dhe mohimin tuaj.

[11] Dijeni mirë dhe të jeni të bindur se nuk do i shpëtoni ndëshkimit të Allahut për shkak të mohimit dhe idhujtarisë suaj, por së shpejti do ju vijë dënimi në këtë botë, dhe padyshim se dënimi i botës tjetër është edhe më i madh dhe i përhershëm.

[12] Njoftoi ata që mohojnë profetësinë tënde, o Muhamed, dhe që kundërshtojnë urdhrin e Zotit të tyre, se ata do të kenë dënim të dhembshëm – me vrasje, robërim dhe dëbim në këtë botë, dhe me zjarrin përvëlues të xhehenemit në botën tjetër; vetëm me këtë mund të përgëzohen mohuesit e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[13] Përjashtim nga prishja e marrëveshjes së paqes me idhujtarët.

[14] Bëhet fjalë për marrëveshjet që ishin me afat më shumë se katër muaj, siç u tha në ajetin e parë; pra këto marrëveshje do të zbatoheshin deri në fund të afatit për të cilin kishin dakord, përderisa idhujtarët do i përmbaheshin marrëveshjes dhe nuk do të ndihmonin armiqtë e muslimanëve kundër muslimanëve.

[15] Duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[16] Këtu janë për qëllim 3 nga 4 muajt e shenjtë: Dhul Kaade, Dhul Hixheh dhe el Muharrem, sepse këto janë njëri pas tjetrit, kurse muaj Raxheb është i veçuar dhe larg këtyre kështu që nuk përfshihet këtu; deklarata e prishjes së marrëveshjes me idhujtarët u bë në ditën e dhjetë të muajit Dhul Hixheh, kështu që afati katër mujorsh përfundonte në ditën e dhjetë të muajit Rabij el Ahir. Gjithësesi, Allahu e ka ndaluar luftën në 4 muajt e shenjtë, deri në ditën e Kiametit, dhe kjo është një nga arsyet pse janë quajtur muaj të shenjtë.

[17] I luftoni dhe i vrisni idhujtarët në çdo vend dhe kohë që t’i gjeni – në Gadishullin Arabik –  deri sa të pranojnë Islamin.

[18] I ndaloni të hyjnë në vendet e Islamit dhe veçanërisht në Meke.

[19] Nëse pendohen dhe kthehen nga idhujtaria dhe mohimi i tyre në Njësimin e Allahut dhe adhurimin vetëm të Atij me sinqeritet, si dhe pranojnë profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[20] Të udhëtojnë nga të duan dhe të futen në Shtëpinë e Shenjtë të Mekes; sepse në këtë rast janë bërë vëllezërit tuaj muslimanë.

[21] Allahu i fal të gjithë ata që pendohen dhe kthehen në bindjen ndaj Tij pas devijimit dhe mëkatit të tyre, si dhe i mëshiron  ata duke mos i dënuar për mëkatet e kaluara, sepse Ai është Mëshirëplotë.

[22] Nëse pas kalimit të afatit katër mujor, ndokush prej idhujtarëve që nuk ka më marrëveshje me ju, kërkon besën tënde, o Muhamed, me qëllim që të dëgjojë Fjalën e Allahut, atëherë i jepni besë dhe i lexoni nga Fjala e Allahut, Kurani. Ky ajet është argument se Kurani është Fjalë e Allahut, dhe nuk është i krijuar, siç thonë mutezilitë dhe ata që marrin fjalën e tyre.

[23] Pasi t’i lexosh fjalën e Allahut, dhe ai refuzon të hyjë në Islam dhe nuk merr mësim nga ajo që i lexove atij nga Kurani, atëherë ktheje atë në vendin e tij të sigurisë, ku është i sigurtë nga ju, që të kthehet te vendi dhe populli i tij idhujtar.

[24] Mospranimi i Islamit nga ana e tyre në këtë rast, megjithëse vetë kërkuan që të dëgjojnë fjalën e Allahut, tregon injorancën e tyre të madhe dhe mos-kuptimin e provave të Allahut; tregon që nuk e dinë se çfarë të mirash kanë nëse besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe po ashtu nuk e dinë çfarë ndëshkimi i pret në të kundërtën e besimit dhe bindjes ndaj Allahut.

-187-


  1. Si mund të kenë idhujtarët besëlidhje tek Allahu dhe tek Dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur traktat te Xhamia e Shenjtë?![1] Pra, për sa kohë që ata i përmbahen traktatit – përmbajuni edhe ju. Vërtet, Allahu i do ata që i ruhen Atij.[2]
  2. Si (mund të kenë besëlidhje) – kur, nëse ata (idhujtarët) fitojnë mbi ju, nuk respektojnë as farefisni as besëlidhje?[3] Ata ju bëjnë qejfin me gojët e tyre,[4] por zemrat e tyre refuzojnë dhe shumica e tyre janë të shthurur.[5]
  3. Ata i këmbyen provat e Allahut me një çmim të vogël dhe i penguan njerëzit nga Rruga e Tij.[6] Vërtet, e shëmtuar ishte ajo që vepronin![7]
  4. Ndaj besimtarëve, ata nuk respektojnë as farefisni as besëlidhje; vetëm ata janë agresorët.[8]
  5. Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe.[9] Ne i sqarojmë provat për njerëzit që dinë.[10]
  6. Por, nëse ata e shkelin betimin e tyre pas lidhjes së traktatit dhe shpifin për fenë tuaj, atëherë i luftoni krerët e mosbesimit[11] – sepse me të vërtetë, ata nuk kanë besë – që të mund të frenohen.[12]
  7. A nuk do t’i luftoni ata njerëz që i shkelën betimet e tyre,[13] u përpoqën të dëbojnë të Dërguarin[14] dhe filluan të parët t’ju sulmojnë?![15] Vallë, keni frikë prej tyre?[16] Por Allahu ka më shumë të drejtë që të keni frikë prej Tij, nëse jeni besimtarë![17]

[1] Si dhe për çfarë arsye mund të kenë idhujtarët besë dhe siguri tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, duke u lënë të lirë të lëvizin të sigurt nëpër tokat e muslimanëve, ndërkohë që ata mohojnë Allahun dhe ndalojnë njerëzit nga Rruga e Tij, dhe janë armiq të Allahut dhe të Dërguarit të Tij? – Pra, për ta nuk ka më besë, siguri dhe traktat paqeje, por detyra e besimtarëve është që t’i luftojnë dhe t’i vrasin ata kudo që t’i ndeshin, me përjashtim të atyre që u kanë dhënë sigurinë dhe besën te Xhamia e Shenjtë e Mekes (Kabe); vetëm këtyre duhet t’u përmbushet traktati deri në afatin e tij të caktuar, përderisa ata nuk shkelin gjë prej tij.

[2] Që i ruhen ndalesave të Allahut dhe kryejnë urdhrat e Tij, si dhe i përmbahen besës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe nuk e shkelin atë.

[3] Por i vrasin dhe i shtypin të gjithë pa mëshirë, edhe nëse janë të afërmit e tyre apo në besën e tyre.

[4] Thonë se ju duan dhe ju pëlqejnë, për t’ju bërë qejfin, por ju mos u mashtroni nga fjalët e tyre, sepse ata i thonë këto fjalë vetëm kur ju kanë frikën, kurse në realitet zemrat e tyre ju urrejnë dhe fshehin armiqësinë ndaj jush.

[5] Zemrat e tyre e refuzojnë nënshtrimin ndaj jush dhe e kundërshtojnë miqësinë me ju, sepse shumica e tyre janë të shthurur dhe nuk kanë fe e besë.

[6] Zgjodhën një fitim të vogël dhe të pavlerë të kësaj bote kundrejt besimit në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, për të penguar njerëzit nga feja e Allahut. Disa prej tyre e thyen besën që kishin me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët duke pranuar një shpërblim (disa ushqime) që iu ofroi Ebu Sufjani për të penguar njerëzit nga hyrja në Islam dhe për të detyruar muslimanët e varfër që të linin fenë e tyre.

[7] Dhe ata do të marrin ndëshkimin që meritojnë tek Allahu, kurse në dynja do të ndiqen dhe do të vriten dhe nuk do ketë më asnjë besë apo traktat paqeje me ta nga muslimanët.

[8] Janë idhujtarët ata që i shkelin marrëveshjet dhe besëlidhjet, dhe ata janë agresorët që ju sulmojnë dhe ju shtypin padrejtësisht.

[9] Nëse ata idhujtarë, të cilët u urdhëruat që t’i vrisni kudo që t’i gjeni, pas kalimit të afatit 4 mujor, pendohen dhe kthehen nga mohimi dhe idhujtaria e tyre, në besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e falin namazin e detyrueshëm dhe japin zekatin e pasurisë së tyre si të gjithë muslimanët, atëherë ata janë vëllezërit tuaj në fenë e Allahut, në Islam.

[10] Allahu i sqaron provat dhe argumentet e Tij për njerëzit që dinë dhe kuptojnë, dhe jo për injorantët që nuk kuptojnë asgjë nga Allahu dhe provat e shpalljet e Tij.

[11] Nga krerët e mosbesimit dhe krerët e idhujtarëve në atë kohë ishin: Ebu Sufjani, Ebu Xhehli, Umeje ibën Khalef, Suhejl ibën Amër dhe Utbeh ibën Rabijah.

[12] Që të ndalojnë nga shpifja për fenë tuaj dhe ndihma e armiqve tuaj kundër jush.

[13] Thyen betimet e tyre dhe prishën besëlidhjen që kishin me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët.

[14] Dhe në fakt e dëbuan, sepse ai doli nga mesi i tyre dhe nga vendlindja e tij, dhe emigroi në Medine.

[15] Ishin të parët që ju sulmuan në Bedër; ose të parët që prishën besën që kishin lidhur me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët, kur ata (idhujtarët kurashit) ndihmuan aleatët e tyre nga fisi Beni Bekër kundër aleatëve të të Dërguarit të Allahut nga fisi Khuzaah, siç është sqaruar hollësisht në librat e Historisë Islame.

[16] A keni frikë nga idhujtarët, dhe nuk guxoni të luftoni kundër tyre?!

[17] Allahu ka më shumë të drejtë se idhujtarët që t’i frikësoheni ndëshkimit të Tij nëse nuk i luftoni idhujtarët ashtu si ju urdhëron Ai; më shumë se çkanë të drejtë idhujtarët që t’u frikësoheni atyre, ndërkohë që ata nuk kanë në dorë as t’ju dëmtojnë as t’ju bëjnë dobi, veçse me vullnetin e Allahut. Pra, nëse jeni vërtetë besimtarë, duhet të keni frikë vetëm nga Allahu dhe nga askush dhe asgjë tjetër, që gjithësesi janë krijesa të Tij dhe nën sundimin dhe drejtimin e Tij.

-188-


  1. Luftoni kundër tyre,[1] që Allahu t’i ndëshkojë ata me duart tuaja,[2] t’i poshtërojë,[3] t’ju ndihmojë kundër tyre,[4] t’i shërojë gjokset e një populli besimtar;[5]
  2. dhe të largojë hidhërimin nga zemrat e tyre![6] Allahu ia pranon pendimin kujt të dojë.[7] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[8]
  3. Vërtet menduat se do të liheni (pa u sprovuar) para se Allahu t’i njohë ata që kanë luftuar prej jush dhe që nuk kanë marrë miq të brendshëm të tjerë, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?![9] Allahu e di mirë se çfarë bëni ju.[10]
  4. Nuk u takon idhujtarëve të popullojnë xhamitë e Allahut, përderisa dëshmojnë kundër vetes se janë mohues.[11] Veprat e tyre janë të pavlefshme dhe në Zjarr do të qëndrojnë përgjithmonë.[12]
  5. Xhamitë e Allahut i popullojnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut.[13] Këta pritet të jenë nga të udhëzuarit.[14]
  6. A e konsideroni sigurimin e ujit për pelegrinët dhe kujdestarinë e Xhamisë së Shenjtë të barabartë me atë që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që lufton në rrugën e Allahut?![15] Këta nuk janë të barabartë para Allahut.[16] Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.[17]
  7. Ata që besuan, mërguan dhe luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre, kanë shkallë shumë më të lartë tek Allahu.[18] Pikërisht këta janë të fituarit.[19]

[1] Luftoni kundër idhujtarëve që thyen betimet e tyre dhe prishën marrëveshjen që kishin me ju.

[2] T’i vrasë ata me duart tuaja.

[3] Me zënie rob dhe mposhtje.

[4] T’ju japë fitoren kundër tyre.

[5] Të cilët ishin të lënduar dhe të vuajtur nga agresiviteti i idhujtarëve dhe tradhëtitë e tyre. Pra, Allahu kujdeset për ndjenjat dhe gjendjen shpirtërore të besimtarëve, dhe kështu që nga parimet e sheriatit ka bërë të jetë edhe shërimi i gjoksit të besimtarëve deri sa t’u largohet mërzitja dhe ngushtimi i gjoksit të tyre me ndëshkimin e armiqve të tyre mohues dhe idhujtarë.

[6] Të qetësojë zemrat e besimtarëve duke larguar zemërimin, brengën, ankthin dhe dhimbjet e shkakuara nga idhujtarët.

[7] Allahu i jep sukses kujt të dojë nga robët e Tij mohues e idhujtarë që të pendohen për mohimin dhe idhujtarinë e tyre, dhe të kthehen në besimin e vërtetë dhe në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[8] Allahu e di çfarë fshehin gjokset e robërve të Tij, dhe Ai e di se cili prej tyre meriton të udhëzohet, kështu që i jep sukses të pendohet dhe të kthehet në rrugën e Allahut; dhe Allahu është i Urtë në vendimet dhe caktimet e Tij, duke e vendosur çdo gjë në vendin që i takon.

[9] A menduat, o besimtarë, se Allahu do ju linte pa ju sprovuar dhe pa e vërtetuar me argumente të qarta dhe të prekshme për të gjithë ju; se cili nga ju është mik i Allahut, që lufton në rrugë të Allahut për të ngritur fjalën e Allahut, dhe që nuk e tradhton kurrë Allahun, të dërguarin e tij apo besimtarët, duke marrë për miq të brendshëm të huajt prej mohuesve dhe idhujtarëve, të cilëve u zbulon të fshehtat e besimtarëve?!

[10] Allahu e di mirë dhe në hollësi se çfarë veprojnë krijesat e Tij, qoftë publikisht apo në fshehtësi, dhe në bazë të veprave do të shpërblejë secilin.

[11] Nuk u takon idhujtarëve të hyjnë në xhamitë e Allahut për t’u falur apo për adhurime të ndryshme, përderisa ata dëshmojnë kundër vetes së tyre se janë mohues dhe të pafe, apo idhujtarë që i shoqërojnë Allahut ortak në adhurim.

[12] Edhe nëse shkojnë në xhami dhe falen apo kryejnë adhurime të tjera në të, adhurimet e tyre janë të pavlefshme, sepse kushti për pranimin e adhurimeve është që të besosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), përndryshe çdo vepër e tyre është e pavlefshme dhe ata do të qëndrojnë përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit për shkak të mohimit dhe idhujtarisë së tyre.

[13] Xhamitë e Allahut i popullojnë dhe i lulëzojnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe adhurojnë vetëm Atë; që besojnë në Ditën e Kiametit dhe të Ringjalljes për të dhënë llogari dhe për të marrë shpërblimin e veprave tek Allahu në botën tjetër; që falin namazin e detyrueshëm dhe japin zekatin e pasurisë së tyre të varfërve ashtu si ka urdhëruar Allahu; dhe që nuk kanë frikë ndëshkimin e askujt tjetër përveç Allahut, në rast se i shkelin urdhrat e Tij.

[14] Këta meritojnë të jenë të udhëzuarit dhe ata janë të udhëzuarit nga Allahu në rrugën e drejtë të Allahut dhe popullues e mirëmbajtës të xhamive të Allahut, dhe jo mohuesit, idhujtarët apo hipokritët.

[15] Allahu qorton këtu disa prej kurashitëve idhujtar, të cilët po mburreshin me sigurimin e ujit të zemzemit për pelegrinët dhe me kujdestarinë për Kaben dhe mbajtjen e çelësave të saj, duke i treguar atyre se mburrja e vërtetë është me besimin në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, dhe me luftën në rrugën e Allahut për të ngritur fjalën e Allahut, dhe jo me dhënien e ujit dhe përkujdesjen për Kaben, ndërkohë që ata janë mohues dhe idhujtarë që i bëjnë Allahut shok në adhurim.

[16] Ata që u sigurojnë ujin pelegrinëve dhe që janë kujdestarë të Kabes, por që janë idhujtarë, nuk janë assesi të barabartë para Allahut me ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që luftojnë në rrugë të Allahut; veprat e tyre nuk mund të barazohen dhe as të krahasohen me njëra-tjetrën, sepse Allahu nuk pranon asnjë vepër nga ata që nuk besojnë Allahun dhe botën tjetër.

[17] Allahu nuk i jep sukses që të udhëzohet dhe të bëjë vepra të mira dikujt që është mohues i Tij dhe i Njësimit të Tij, gjë që është edhe padrejtësia më e madhe në Tokë – pra, t’i bëhet shok Allahut në adhurim; dhe përveç kësaj, ata janë të padrejtë në të gjitha veprat dhe sjelljet e tyre ndaj Allahut dhe ndaj robërve të Allahut.

[18] Këta janë në shkallë shumë më të lartë tek Allahu se ata që i japin ujë pelegrinëve apo që kujdesen për Kaben, por që nuk besojnë Allahun dhe i bëjnë shok Atij.

[19] Pikërisht këta besimtarë, emigrues dhe luftëtarë në rrugë të Allahut, janë ata që do të fitojnë xhenetin dhe që do të shpëtojnë nga zjarri i xhehenemit.

-189-


  1. Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai dhe pëlqim,[1] si dhe me kopshte ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta;[2]
  2. dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[3] Me të vërtetë, tek Allahu ka shpërblim të madh.[4]
  3. O ju që keni besuar![5] Mos i merrni baballarët dhe vëllezërit tuaj për miq e aleatë, nëse ata kanë preferuar mosbesimin mbi besimin.[6] Kushdo prej jush që i merr ata për miq – ata janë të padrejtët.[7]
  4. Thuaj (O Muhamed):[8] “Nëse prindërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria që keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se do të bierë[9] dhe shtëpitë që i pëlqeni,[10] janë më të dashura për ju sesa Allahu,[11] i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij,[12] atëherë pritni deri sa Allahu të ekzekutojë urdhrin e Tij.[13] Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.”[14]
  5. Me të vërtetë, Allahu ju ka dhënë fitore në shumë beteja,[15] madje edhe në ditën e Huneinit,[16] kur ju mahniti numri juaj i madh,[17] por ai numër nuk ju bëri aspak dobi, dhe toka u ngushtua për ju, me gjithë gjerësinë e saj;[18] pastaj kthyet shpinën duke ia mbathur.[19]
  6. Pastaj,[20] Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët,[21] si dhe zbriti ushtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë, [22] e i dënoi ata që mohuan.[23] Ky është shpërblimi i mohuesve.[24]

[1] Ata që besuan, emigruan dhe luftuan në rrugën e Allahut, Zoti i përgëzon ata me mëshirë nga Ai për ta, kështu që nuk do i dënojë por do i mëshirojë, dhe i përgëzon me miratimin dhe pëlqimin e Tij ndaj tyre për shkak të bindjes së tyre ndaj Tij.

[2] I përgëzon gjithashtu me kopshtet e xhenetit, kënaqësia dhe mirësia e të cilit nuk mbarojnë kurrë, por janë të përhershme.

[3] Ata gjithashtu do të jenë të përjetshëm si edhe kopshtet e xhenetit, dhe ata do të shijojnë kënaqësitë dhe mirësitë e Zotit të tyre në Xhenet përgjithmonë.

[4] Për besimtarët e vërtetë, që u përmendën më sipër; ata do të marrin shpërblimin e madh që Allahu u ka premtuar.

[5] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).

[6] Nëse prindërit, vëllezërit apo të afërmit tuaj kanë zgjedhur mosbesimin mbi besimin, atëherë nuk ju lejohet që t’i merrni ata për miq e të dashur, të cilëve mund t’u hapeni e t’u tregoni të fshehtat e muslimanëve, apo të preferoni qëndrimin mes tyre mbi emigrimin në vendin Islam.

[7] Kushdo prej besimtarëve që i merr për miq e të dashur apo këshilltarë të brendshëm prindërit dhe vëllezërit jobesimtarë, atëherë ata kanë kundërshtuar urdhërin e Allahut dhe e kanë vendosour miqësinë e tyre jo në vendin e duhur, në mënyrë të padrejtë. Thuhet se ky ajet ka zbritur për të ndaluar besimtarët nga aleanca me të afërmit e tyre që nuk kanë emigruar nga vendi i mohimit në vendin Islam. [Taberiu].

[8] Thuaju atyre që nuk kanë emigruar në vendin Islam, por kanë qëndruar në vendin e mohimit dhe idhujtarisë.

[9] Kur ju të lini vendin tuaj dhe të emigroni në vendin Islam.

[10] Shtëpitë tuaja që ju pëlqen të banoni në to sepse i keni ndërtuar dhe zbukuruar si ju pëlqen vetë.

[11] Më të dashura se emigrimi nga vendi i mohimit dhe idhujtarisë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij.

[12] Lufta në rrugën e Allahut për të ngritur fenë e Allahut.

[13] Prisni deri sa t’ju vijë dënimi i Allahut, për të cilin nuk ka kthim.

[14] Pra, nëse kjo botë është më e dashur për ju se sa Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe emigrimi e luftimi për fenë e Allahut, atëherë prisni ndëshkimin e Allahut, sepse jeni të pabindur ndaj Allahut, dhe Allahu nuk i jep sukses që të udhëzohen dhe të bëjnë vepra të mira atyre që nuk i binden Atij dhe shkelin ndalesat e Tij.

[15] Allahu ju ka ndihmuar dhe ju ka dhënë fitore në shumë beteja që keni pasur me armiqtë tuaj, o besimtarë.

[16] Ju ndihmoi dhe ju dha fitore gjithashtu në ditën e luftës së Hunejnit; Hunejn është emri i vendit ku ndodhi lufta – një luginë mes Mekes dhe Taif.

[17] Numri i ushtrisë muslimane në atë luftë ishte 12 mijë ushtarë.

[18] Për shkak të mërzitjes dhe pikëllimit kur armiku ju vuri para dhe menduat se e humbët luftën.

[19] Të mundur nga armiku. Allahu donte t’i tregonte besimtarëve në këtë luftë, se fitorja vjen vetëm nga Allahu dhe jo për shkak të numrit të madh dhe forcës ushtarake; dhe Allahu mund t’ia japë fitoren një ushtrie të vogël kundër një ushtrie të madhe, si në luftën e Bedrit, për shembull.

[20] Pas ngushtimit të tokës në sytë tuaj dhe pas kthimit të shpinës armikut dhe mbathjes nga fushëbeteja..

[21] Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin dhe Besimtarët, duke i siguruar se fitorja ishte e tyre. Lufta e Hunejnit ndodhi menjëherë pas çlirimit të Mekes, në vitin 8 Hixhri, kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) mësoi se fisi Hevazin kishte grumbulluar një ushtri prej 4 mijë idhujtarësh kundër tij, kështu që ai u nis drejt tyre bashkë me besimtarët që çliruan Meken dhe ata që pranuan Islamin prej banorëve të Mekes, numri i të cilëve ishte rreth 12 mijë luftëtarë. Ky numër bëri që disa muslimanë të mahniten dhe të mendojnë se numri i madh do i bënte të fitonin kundër armiqve, dhe dikush prej tyre tha: “Nuk kemi për t’u mundur sot nga një numër i vogël njerëzish!” Mirëpo kur filloi beteja, armiqtë sulmuan fort, dhe ushtria muslimane u çorientua dhe u përça, sa që u larguan nga fushëbeteja dhe nuk qëndroi me të Dërguarin e Allahut veçse një grup prej njëqind besimtarësh, të cilët vazhduan të luftojnë kundër idhujtarëve, kurse i Dërguari në mesin e tyre ngrinte zërin dhe thoshte: “Unë jam i Dërguari i Allahut, pa gënjeshtër! Unë jam biri i Abdulmuttalib!” Pastaj urdhëroi Abasin, xhaxhane e vet, që të thërriste me zë të lartë Ensarët dhe besimtarët e tjerë – sepse Abasi kishte zë të lartë – dhe ai thirri: “Ku jeni, o dëshmuesit e marrëveshjes te pema Semura? Ku jeni, o njerëzit e sures Bekare?” Kur muslimanët dëgjuan zërin e tij, u prekën që të gjithë dhe menjëherë u kthyen në fushëbetejë me të gjithë kurajën dhe forcën, dhe Allahu u dha atyre fitore të madhe kundër idhujtarëve.

[22] Allahu zbriti engjëj që të ndihmonin besimtarët kundër idhujtarëve, ashtu si në luftën e Bedrit, për të cilën u fol në suren el Enfal.

[23] I dënoi ata që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij prej fisit Hevazin në Hunejn me vrasje, robërim, marrje të plaçkës dhe poshtërim.

[24] Ky është shpërblimi i atyre që mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij: vrasja, robërimi, plaçkitja e poshtërimi në këtë botë, dhe zjarri i xhehenemit ku do të jenë përgjithmonë në botën tjetër.

-190-


  1. Pas kësaj, Allahu i pranon pendimin kujt të dojë.[1] Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[2]
  2. O ju që keni besuar! Me të vërtetë, idhujtarët janë të papastër,[3] prandaj të mos i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti.[4] Dhe nëse kini frikë nga varfëria,[5] Allahu do ju pasurojë nga dhuntitë e Tij,[6] nëse Ai dëshiron.[7] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[8]
  3. Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Fundit,[9] dhe që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë të ndaluar,[10] dhe ata që nuk e zbatojnë fenë e vërtetë,[11] prej atyre që u është dhënë Libri,[12] derisa të japin haraçin me dorën e tyre, duke qenë të përulur.[13]
  4. Hebrenjtë thanë: “Uzejri (Ezra) është bir i Allahut”,[14] kurse të krishterët thanë: “Mesihu (Mesia) është bir i Allahut”. Kjo është fjala e tyre, nga gojët e tyre;[15] ata imitojnë fjalët e atyre që nuk besuan para tyre.[16] I vraftë Allahu! Si shmangen (nga e vërteta)![17]
  5. Ata i konsideruan rabinët dhe murgjit e tyre, si zotër përveç Allahut,[18] si dhe Mesinë, të birin e Merjemes gjithashtu,[19] ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot të Vetëm,[20] përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet.[21] I Pastër është Ai nga gjithçka që i shoqërojnë Atij.[22]

[1] Pas disfatës dhe dënimit që morën në luftën e Hunejnit, shumë nga idhujtarët shkuan te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) të penduar nga idhujtaria dhe luftimi i tyre kundër besimtarëve, duke qenë se kishin pranuar Islamin; atëherë këtyre iu kthye pasuria dhe familjarët e tyre të zënë rob.

[2] Allahu i fal të gjitha mëkatet atyre që pendohen dhe i kërkojnë falje Atij, sado të mëdha që të jenë mëkatet që kanë bërë; Mëshira e Allahut është e madhe dhe nga mëshira e Tij, Ai nuk i dënon ata që pendohen dhe nuk u kërkon llogari për atë që kanë bërë para pendimit.

[3] Idhujtarët janë të papastër në besimin e tyre, veprat e tyre, zemrat e tyre dhe trupin e tyre; ata adhurojnë idhuj në vend të Krijuesit të tyre, luftojnë fenë e Allahut dhe besimtarët, bëjnë mendjemadhësi dhe shkatërrime në Tokë dhe nuk e pastrojnë trupin e tyre nga xhenabeti gjithashtu, d.m.th. nuk lahen e nuk pastrohen pas marrëdhënieve intime dhe nuk ruhen nga papastëritë e tilla si alkooli, derri e qeni. Pra, ata janë të papastër nga brenda dhe nga jashtë, por qëllimi këty është papastëria e brendshme, e bindjes dhe e besimit.

[4] Mos i lejoni idhujtarët t’i afrohen xhamisë së Shenjtë të Kabes  dhe as territorit të saj, sepse ata janë të papastër që të mund t’i afrohen vendit më të pastër në Tokë. Ky urdhër erdhi në vitin e 9 Hixhri, në haxhin e udhëhequr nga Ebu Bekri (radiallahu anhu), që përmendet në fillim të sures. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kishte ngarkuar Aliun (radiallahu anhu) qe të njoftonte të gjithë ata që ishin në haxh prej idhujtarëve, se pas haxhit të këtij viti, askush nuk do të lejohej të kryejë haxh prej idhujtarëve dhe as të bëjë tavaf rreth Kabes ndonjë i zhveshur, siç e kishin bërë traditë idhujtarët.

[5] Për shkak të ndalimit të idhujtarëve nga afrimi në Xhaminë e Shenjtë, dhe rënia e tregtisë dhe ekonomisë si rezultat i kësaj.

[6] Allahu do ju hapë rrugë të tjera të furnizimit dhe sigurimit të jetesës e pasurisë, sepse sa herë që mbyllet një derë, shumë dyer të tjera happen pas saj; ky është Ligji i Allahut, dhe padyshim se dhuntia e Allahut është e gjerë dhe bujaria e Tij e madhe, veçanërisht për ata që e lënë diçka për hir të Tij. Allahu ua shpërblen atyre shumëfish me bujarinë e Tij. Një nga dyert e pasurisë që u hap për ta ishte taksa e Haraçit që muslimanët i merrnin ithtarëve të Librit prej hebrenjve dhe të krishterëve që jetonin në vendet e tyre dhe nën mbrojtjen e tyre.

[7] Pasurimi nga Allahu është i lidhur me dëshirën e Allahut, nëse do Allahu, e jep atë, dhe në të kundërtën, jo; sepse pasuria në këtë botë nuk është nga frytet e besimit dhe nuk tregon dashurinë e Allahut për atë që i ka dhënë pasuri; Allahu ia jep pasurinë në dynja atij që do dhe atij që nuk  e do, kurse besimin dhe fenë e Tij nuk e ia jep veçse atij që do.

[8] Allahu e di mirë se çfarë fshehin gjokset, dhe e di mirë se kujt i përshtatet pasuria e kujt i bën dëm, dhe Ai i vendos të gjitha gjërat në vendin që i takon, me Urtësinë e Tij absolute.

[9] O ju që keni besuar, luftojini ithtarët e Librit – hebrenjtë dhe të krishterët – të cilët nuk e besojnë Allahun dhe nuk e besojnë xhenetin dhe xhehenemin, me besim të vërtetë dhe të saktë, të cilin duhet ta vërtetojnë edhe veprat e tyre dhe jo vetem me fjalë.

[10] Nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi – nuk zbatojnë ligjet e Allahut.

[11] Nuk ndjekin fenë e vërtetë, edhe nëse pretendojnë se kanë fe, por feja e tyre nuk është feja e vërtetë, sepse ata ose e kanë shtrembëruar fenë, ose kanë shtuar apo hequr prej saj, ose disa ligje të fesë së tyre kanë qenë më parë nga Allahu por janë shfuqizuar me ardhjen e Islamit dhe me sheriatin që Allahu i shpalli Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), kështu që qëndrimi në atë fe pas shfuqizimit të saj, nuk lejohet, por duhet të kalohet në fenë e ripërtërirë dhe të avancuar, që është Islami.

[12] Libri qiellor u është dhënë hebrenjve – Teurati – dhe të krishterëve – Inxhili (Ungjilli).

[13] Besimtarët u urdhëruan të luftojnë hebrenjtë dhe të krishterët, deri sa të paguanin haraçin apo taksën e caktuar vjetore, ku secili do të paguante sipas gjendjes dhe mundësisë ekonomike që kishte. Kjo u praktikua nga udhëheqësi  i besimtarëve Umer ibnul Khattab (radiallahu anhu), si dhe nga udhëheqës të tjerë më pas. Ata duhet ta jepnin haraçin me dorën e tyre dhe të përulur, dhe të mos dërgonin shërbëtorët që ta jepni atë, se nuk do iu pranohej deri sa të vinin vetë, dhe në këmbim, atyre u garantohej siguria dhe jetesa në mesin e muslimanëve, por të përulur dhe të nënshtruar, gjë që duhet ta shfaqnin edhe në veshjet apo sjelljen e tyre kur dilnin në rrugë apo në publik. Nëse ata i shkelnin kushtet e marrëveshjes, atëherë do të luftoheshin deri sa të pranonin Islamin dhe se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ishte i dërguari i Allahut, të cilin gjithësesi e gjenin të shënuar në Librat e tyre. Pra, hebrenjtë dhe të krishterët mund të zgjidhnin: ose të qëndronin në fenë e tyre të shtrembëruar dhe të prapambetur, por të përulur dhe duke paguar haraçin, ose të pranonin Islamin dhe të bëheshin muslimanë, që është edhe më e mira për ta, ose të largoheshin përfundimisht nga vendet Islame. Pas këtij ajeti, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u përgatit për luftën e Tebukut kundër Romakëve.

[14] Këtë fjalë e kanë thënë disa prej hebrenjve dhe jo të gjithë ata, por kjo tregon se çfarë ligësie dhe djallëzie ka në mesin dhe zemrat e tyre, dhe çfarë paturpësie dhe mungesë morali kur guxojnë të shpifin për Allahun gjëra që nuk i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij. Thuhet se shkaku që ata pretenduan se Uzejri – apo Ezra siç emërtohet në Bibël – ishte bir i Allahut, shkaku ishte se kur Allahu i la hebrenjtë nën sundimin e Mbretërve, dhe ata i vranë e i prenë në masë, dhe vranë të gjithë ata që e mbanin Teuratin përmendësh, më pas gjetën se vetëm Uzejri vazhdonte ta mbante përmendësh Teuratin apo pjesën më të madhe të tij, dhe ai ia diktoi atyre nga memorja e vet, dhe ata e shkruajtën, pastaj thanë për të se ai është bir i Allahut.

[15] Për të cilën nuk kanë asnjë lloj prove apo argumenti; dhe për këtë fjalë do të japin llogari.

[16] Të krishterët imitojnë fjalën e hebrenjve kur thonë që Allahu ka bir, dhe po ashtu, hebrenjtë së bashku me të krishterët imitojnë fjalët e mohuesve dhe idhujtarëve të mëparshëm që thonin se engjëjt janë bijat e Allahut. Zemrat e tyre janë të ngjashme, kështu që edhe fjalët e tyre të kota dhe të pavërteta janë gjithashtu të ngjashme.

[17] Ky është mallkim nga Allahu kundër hebrenjve, të krishterëve dhe mohuesve e idhujtarëve, dhe kjo për shkak të mohimit dhe fjalëve të tyre shumë të padrejta dhe të pavërteta ndaj Allahut kur i veshin Atij fëmijë, ndërkohë që Ai është Krijuesi Suprem, dhe vërtet një habi e madhe se si mund ta thonë një fjalë të tillë ata, të cilëve Allahu u ka zbritur Libër dhe u ka dërguar profet, dhe ata e quanin veten të miq të Allahut dhe të dashurit e Tij; atëherë si guzojnë dhe me çfarë logjike i thonë këto fjalë për Allahun, Zotin e tyre?!

[18] Kur mëson çfarë bëjnë ata, ikën çudia për atë që i veshin Allahut fëmijë; sepse ata në fakt i kanë konsideruar rabinët (dijetarët e hebrenjve) dhe murgjit (adhuruesit e krishterë që mbyllen nëpër manastire) si zotër përveç Allahut, të cilëve ju luten e ju rrëfehen, dhe të cilët i ndalojnë atyre ato gjëra që Allahu i ka lejuar, dhe iu lejojnë gjëra që Allahu i ka ndaluar, dhe ju ligjërojnë atyre ligje për të cilat nuk kanë asnjë provë apo argument nga Allahu dhe që nuk i janë shpallur askujt nga të dërguarit e Allahut. Hebrenjtë dhe të krishterët i kanë ngritur dhe madhëruar shumë rabinët dhe murgjit e tyre, sa që edhe varret e tyre i kanë kthyer në idhuj që i adhurojnë në vend të Allahut, dhe të cilëve i drejtohen me lutje e përgjërim, dhe me therje kurbanesh mbi to.

[19] E konsideruan Mesian zot dhe bir të Zotit, dhe e adhurojnë në vend të Allahut.

[20] Allahun, Krijuesin e tyre dhe të gjithësisë, të Cilit i takon adhurimi i çdo krijese, dhe bindja e çdo krijese.

[21] Por vetëm Allahu meriton të adhurohet dhe vetëm Ai duhet të adhurohet nga të gjitha krijesat e Tij, sepse çdo gjë tjetër përveç Tij është krijesë e Tij, dhe krijesat nuk duhet të adhurojnë njëra-tjetrën, por duhet të adhurojnë vetëm Krijuesin e tyre.

[22] I Lartësuar dhe i Pastër është Allahu nga çdo gjë që i shoqërojnë idhujtarët, apo që u binden në vend të Tij, siç bëjnë hebrenjtë dhe të krishterët që iu binden rabinëve dhe murgjëve të tyre në kundërshtim me ligjet e Allahut, apo që thonë se Uzejri dhe Mesihu janë bij të Allahut!

-191-


  1. Ata dëshirojnë të shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre,[1] por Allahu nuk pranon veçse ta përsosë dritën e Tij,[2] edhe nëse mohuesit e urrejnë këtë.[3]
  2. Është Ai (Allahu) që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës,[4] për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë,[5] edhe nëse idhujtarët e urrejnë këtë.[6]
  3. O ju që keni besuar![7] Me të vërtetë, shumë prej rabinëve dhe murgjve gllabërojnë pasurinë e njerëzve padrejtëshit dhe pengojnë nga rruga e Allahut.[8] E, ata që grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk i shpenzojnë ato në rrugën e Allahut, përgëzoji me një dënim të dhembshëm;[9]
  4. Atë ditë,[10] kur ato (thesaret që grumbulluan) do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkosen ballët, anët dhe shpinat e tyre (duke iu thënë): “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten tuaj; pra, shijoni atë që grumbulluat!”[11]
  5. Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, në Librin e Allahut, që nga dita kur krijoi qiejt dhe Tokën.[12] Katër prej tyre janë të shenjtë.[13] Kjo është feja e drejtë,[14] prandaj mos i bëni padrejtësi vetvetes gjatë tyre![15] Luftoni kundër idhujtarëve të gjithë së bashku, ashtu si ata luftojnë kundër jush të gjithë së bashku,[16] dhe dijeni se Allahu është me ata që i ruhen Atij.[17]

[1] Hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët i marrin për zota rabinët dhe murgjit e tyre, dëshirojnë të shuajnë dritën e Allahut, e cila është feja e Tij me të cilën ka dërguar Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) dhe të gjithë dërguarit para tij. E ka quajtur dritë, sepse me të ndriçohesh në errësirat e injorancës dhe të feve të trilluara. Këta hebrenj e të krishterë dëshirojnë ta shuajnë këtë dritë me fjalët e tyre, për të cilat nuk kanë asnjë argument që në origjinë.

[2] Sepse drita e Allahut është drita absolute, e cila nuk mund të shuhet edhe sikur të bashkoheshin të gjitha krijesat për ta shuar atë; dhe ajo është drita e Atij, në Dorën e të Cilit janë jetët dhe trupat e të gjitha krijesave; dhe për këtë dritë Allahu ka marrë përsipër ta ruajë Vet nga çdokush që kërkon ta shuajë apo ta cënojë.

[3] Edhe nëse mohuesit e Allahut dhe përgënjeshtruesit e të Dërguarit të Tij, e urrejnë Dritën e Allahut dhe përpiqen ta shuajnë e ta zbehin atë me të gjitha mënyrat, por përpjekja dhe mundimi i tyre nuk mund ta dëmtojë aspak të vërtetën dhe dritën e Allahut.

[4] Allahu e ka dërguar Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me udhëzimin – sqarimin e urdhrave dhe ndalesave të Allahut, dhe gjithçka që njerëzit duhet të dinë për besimin dhe jetën e tyre në të dy botët – dhe fenë e vërtetë Islame.

[5] Me qëllim që Islami të ngrihet dhe të lartësohet mbi të gjitha fetë e njerëzve në tokë, të cilat vetë ata i kanë trilluar.

[6] Edhe nëse politeistët që i bëjnë shok Allahut e urrejnë ngritjen dhe lartësimin e Islamit mbi fetë e tyre të pavërteta.

[7] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).

[8] Shumë prej rabinëve dhe murgjve – dijetarëve dhe adhuruesve – prej hebrenjve dhe të krishterëve, e marrin pasurinë e njerëzve padrejtësisht, duke marrë rryshfete në gjykimet e tyre, duke shprembëruar Librin e Allahut, Teuratin dhe Inxhilin, duke shkruar libra me duart e tyre dhe pastaj thonë se këto janë nga Allahu, vetëm e vetëm që t’i shesin për një çmim të vogël të kësaj bote; si dhe pengojnë njerëzit nga mesi i tyre dhe jashtë tyre të futen në Islam.

[9] Përgëzimi i tyre është me dënim të dhembshëm nga Allahu në Ditën e Gjykimit, siç përshkruhet më hollësisht në ajetin pas këtij; e këta janë ata rabinë e murgjër që gllabërojnë padrejtësisht pasuritë e njerëzve dhe grumbullojnë e groposin arin e argjëndin dhe nuk e shpenzojnë atë në rrugët e bamirësisë që të çojnë tek Allahu, që nuk e japin zekatin e tij, dhe madje nuk shpenzojnë as shpenzimet e nevojshme për jetesë.

[10] Përgëzoji me një dënim të dhembshëm, në atë ditë, kur…

[11] Kjo është pasuria që grumbulluat padrejtësisht dhe që e groposët në dynja, për të mos shpenzuar prej saj të drejtat e Allahut dhe të drejtat e njerëzve, kështu që shijojeni tani shijen e saj, meqenëse as vetë nuk e shijuat dhe nuk e gëzuat në dynja!

[12] Allahu e ka caktuar dhe regjistruar në Librin e Tij që gjendet tek Ai (El Leuh el Mahfudh), që nga dita kur krijoi qiejtë dhe Tokën, dhe caktoi natën dhe ditën, se numri i muajve të vitit është 12 muaj; dhe këtu janë për qëllim muajt e vitit hënor, megjithëse edhe ato të vitit diellor janë po 12, por të gjitha ritet, festat dhe adhurimet e ndryshme Islame lidhen me muajt hënor, prandaj edhe Kurani  përmend kryesisht muajt hënor, dhe në raste të caktuara i përmend vitet diellore bashkë me ato hënore, si në ajetin 25 të sures el Kehf: “Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet (diellorë), duke shtuar nëntë (për vitet hënore).”

[13] Katër nga 12 muajt e vitit hënor janë të shenjtë; në këto muaj ndalohet lufta dhe gjynahet dyfishohen, ashtu si edhe veprat e mira në këto muaj shumëfishohen. Muajt e shenjtë janë: Raxheb, Dhul Kaade, Dhul Hixhe dhe el Muharrem; Muaji Raxheb është i ndarë, kurse tre të tjerët janë në rradhë njëri pas tjetrit.

[14] Feja e drejtë dhe e vërteta është se muajt e ndaluar tek Allahu janë këto katër muajt, dhe ato nuk ndryshojnë nga viti në vit dhe nuk shtohen apo pakësohen, apo herë të bëhen të ndaluar e herë të lejuar, siç bëjnë idhujtarët e mohuesit.

[15] Mos i shkelni ligjet e Allahut që lidhen me muajt e shenjtë; mos i bëni të lejuara ato që Allahu i ka ndaluar në këto muaj, siç është lufta; mos bëni mëkate në këto muaj veçanërisht sepse ndëshkimi për mëkatët që bëhen në këto muaj është më i madh se ndëshkimi për mëkatet që bëhen në muajt e tjerë, dhe Allahu zemërohet më shumë me njerëzit që bëjnë mëkate në këto muaj që Ai i ka shenjtëruar.

[16] Ashtu si bashkohen idhujtarët me njëri-tjetrin kur luftojnë kundër jush, po ashtu edhe ju bashkohuni të gjithë kundër tyre dhe i vrisni ashtu si ju vrasin ata; pra, kur sulmon armiku, të gjithë besimtarët e kanë detyrim të bashkohen dhe të ngrihen kundër tij, edhe nëse janë në një nga muajt e shenjtë, por nuk u lejohet besimtarëve që të sulmojnë ata të parët gjatë muajve të shenjtë. Ajeti mund të përmbajë edhe kuptimin: I luftoni të gjithë llojet e idhujtarëve dhe mohuesve të Zotit të botëve, dhe mos përjashtoni askënd prej tyre, por i konsideroni të gjithë ata armiqtë tuaj, ashtu si edhe ata ju konsiderojnë të gjithë juve armiqtë e tyre, çdo besimtar të çdo vendi, fisi apo rrace, pa bërë dallim mes jush.

[17] Dijeni, o besimtarë, se nëse ju i luftoni idhujtarët duke qenë të bashkuar kundër tyre, dhe duke qenë se i ruheni ndalesave të Allahut dhe veproni në bindje ndaj Tij, atëherë Allahu është me ju kundër armiqve tuaj dhe armiqve të Tij prej idhujtarëve e mohuesve; e ata që kanë Allahun në anën e tyre, nuk munden kurrë nga asgjë.

-192-


  1. Vërtet, shtyrja (e muajve të shenjtë) është shtim i mosbesimit.[1] Për shkak të saj (shtyrjes), ata që mohuan thellohen në humbje.[2] Një vit e quajnë të lejueshëm (muajin e shenjtë të shtyrë), kurse një vit tjetër, të ndaluar, që ta përshtatnin me numrin e muajve që i ka ndaluar Allahu, dhe kështu, ata bëjnë të lejuar atë që Allahu e ka ndaluar.[3] Atyre u duken të bukura veprat e tyre të shëmtuara;[4] e Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit mohues.[5]
  2. O ju që keni besuar![6] Çfarë është çështja juaj, që kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut!”,[7] ju bëheni të rëndë në tokë.[8] A jeni më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me botën tjetër?![9] Por kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, nuk është veçse pak.[10]
  3. Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me ndëshkim të dhembshëm[11] dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër;[12] e ju nuk e dëmtoni Atë aspak.[13] Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.[14]
  4. Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin)[15] – Allahu tashmë e ka ndihmuar atë; si atëherë, kur ata që mohuan e dëbuan atë vetë të dytin,[16] kur ishin në shpellë,[17] e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit! Me të vërtetë, Allahu është me ne!”[18] Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e mbështeti me një ushtri që nuk e keni parë (engjëj) dhe bëri që fjala e atyre që mohuan të jetë më e ulta, kurse Fjala e Allahut të jetë më e larta.[19] Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[20]

[1] Idhujtarët, në kohën e injorancës para Islame, në rast se kishin nevojë të luftonin gjatë ndonjë prej muajve të shenjtë, menduan që ta shtynin shenjtërinë e muajit të shenjtë në të cilin ndodheshin, duke ia veshur shenjtërinë një muaji tjetër që vinte më pas dhe që nuk ishte i shenjtë; duke menduar se kështu do të ruanin numrin e muajve të shenjtë, por jo vetë muajt e shenjtë me emrat e tyre. Dhe kështu, muajt e shenjtë do të ndryshonin çdo vit, me shtyrje ose tërheqje, sipas interesit të tyre, duke bërë të lejuar atë muaj që Allahu e kishte ndaluar, dhe duke bërë të ndaluar atë muaj që Allahu e kishte lejuar.

[2] Për shkak të shtyrjes së muajve të shenjtë nga koha e tyre, Allahu i lë në humbje mohuesit që e shpikën dhe e bëjnë këtë gjë.

[3] Bëjnë të lejuar muajt qe Allahu i ka bërë të ndaluar, dhe bëjnë të ndaluara muajt që Allahu ka bërë të lejuar, ndërsa lejimi dhe ndalimi, pra vënia e ligjeve i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër, prandaj ata zhyten edhe më shumë në mosbesimin e tyre me këtë vepër të shëmtuar që atyre ju duket e mirë dhe e bukur.

[4] Ju duket e mirë, e bukur dhe e zgjuar e keqja, shëmtia dhe idiotësia e veprave të tyre që i bëjnë në kundërshtim me ligjet e Allahut.

[5] Allahu nuk i jep sukses që të bëjnë vepra të mira e të bukura atyre njerëzve që e mohojnë Njësimin e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), por i lë ata në humbje, ashtu si këta që bënin lojëra me muajt e shenjtë.

[6] O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem)! Ky ajet është nxitje nga Allahu për besimtarët, shokët e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), që të luftojnë romakët në luftën e Tebukut – në kufi me Jordaninë sot.

[7] Kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ju thërret që të dilni në luftë kundër armiqve tuaj dhe të Allahut.

[8] Përtuat të shkonit në luftë dhe anuat nga qëndrimi në tokën dhe shtëpitë tuaja. Duhet të jetë e ditur se shumë pjesë nga kjo sure bëjnë fjalë për luftën e Tebukut, kur Allahu e kishte urdhëruar të Dërguarin që t’i nxiste besimtarët të luftonin romakët. Ishte stina e verës dhe koha ishte shumë e nxehtë, kurse ushqimet dhe uji ishin shumë të kufizuara dhe të pakta. Kështu që, disa nga muslimanët e morën me përtesë daljen për në luftë, dhe kjo bëri që Allahu t’i qortonte dhe t’i nxiste ata për të shkuar në luftë, duke i thirrur me atributin e tyre të veçantë tek Allahu: “O ju që keni besuar!”, a nuk e dini se kjo shprehje kërkon nga ju që t’i përgjigjeni thirrjes së Allahut menjëherë.

[9] A mos u bëtë si ata që kanë zgjedhur jetën e kësaj bote dhe vrapojnë pas saj, pa e vrarë mendjen për jetën e botës tjetër që është e përhershme, dhe të cilën Allahu e ka përgatitur dhe zbukuruar për të devotshmit – xhenetin?!

[10] A nuk i peshoni dhe krahasoni gjërat, dhe kështu t’i jepni përparësi asaj që është më e mirë dhe më e qëndrueshme, në vend të dynajsë së shkurtër dhe të paqëndrueshme, të mbushur me turbullira dhe rreziqe të panumërta, të cilën askush nuk e ka gëzuar, sado që ka grumbulluar prej pasurive të saj dhe sado pushtet që të ketë pasur në tokë?!

[11] Nëse nuk shkoni në luftë për të luftuar romakët, kur ju thërret i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), atëherë Allahu do ju ndëshkojë në këtë botë dhe në botën tjetër me dënim të dhembshëm.

[12] Do i zgjedhë një popull tjetër të Dërguarit të Tij, të cilët do t’i përgjigjen menjëherë thirrjes së tij, kur ai t’i thërrasë për të shkuar në luftë, dhe të cilët i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij për çdo gjë.

[13] Ju nuk e dëmtoni aspak Allahun me mosdaljen në luftë dhe mosbindjen ndaj Tij, sepse Allahu nuk ka aspak nevojë për ju, por ju keni nevojë për Të.

[14] Allahu ka fuqi dhe mundësi që t’ju zhdukë ju dhe t’ju zëvendësojë me njerëz të tjerë, dhe ka fuqi për çdo gjë që dëshiron.

[15] Nëse ju, o besimtarë, nuk i përgjigjeni thirrjes së të Dërguarit për luftë dhe nuk e ndihmoni atë kundër armiqve të Allahut dhe armiqve tuaj, dijeni se atë e ndihmon Allahu pa pasur nevojë për ju dhe ndihmën tuaj, ashtu si e ndihmoi atë (Muhamedin) kur emigroi nga Meka në Medine vetëm me Ebu Bekrin (radiallahu anhu).

[16] Allahu do e ndihmojë të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem), si atëherë kur idhujtarët kurashit e dëbuan atë nga shtëpia dhe vendi i vet, dhe ai ishte vetë i dytë – i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) dhe Ebu Bekri (radiallahu anhu).

[17] Ishin fshehur në një shpellë (shpella Theur) jashtë Mekës, ku do të qëndronin disa ditë, derisa kërkimet e idhujtarëve për ta të kishin ndaluar.

[18] Kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pa frikën e madhe që kishte Ebu Bekri (radiallahu anhu) se mos idhujtarët e gjenin dhe e kapnin të Dërguarin e Allahut, ndërkohë që ishin brenda në shpellë, kurse idhujtarët hynë në të dhe gati sa nuk i panë, ai e qetësoi atë duke i thënë se Allahu është me ne dhe do të na mbrojë e do të na ndihmojë, dhe idhujtarët nuk do të mund të na gjejnë dhe nuk do të arrijnë kurrë tek ne. Pra, përderisa Allahu e ndihmoi të Dërguarin e Tij në një gjendje dhe çast të tillë kritik, të mbushur me frikë dhe pa armë e fuqi, atëherë si mund ta braktisë atë tani dhe ta bëjë që të ketë nevojë për ju, ndërkohë që ndihmuesit dhe ushtarët e tij janë të shumtë në numër? Ky ishte kërcënim dhe nxitje për ata besimtarë që shfaqën përtesë për të shkuar në luftën e Tebukut, dhe numri i tyre gjithësesi ishte i vogël, e ata u penduan dhe shkuan në luftë, dhe nuk mbetën pa shkuar veçse hipokritët dhe ata të tre që Allahu ua pranoi pendimin, historia e të cilëve përmendet nga fundi i sures.

[19] Allahu e mbështeti dhe e ndihmoi të Dërguarin e Tij me engjëjt, të cilët idhujtarët nuk i panë, dhe bëri që fjala e idhujtarëve – idhujtaria dhe politeizmi i tyre – të jetë më e ulta, sepse ajo u mund dhe u mposht, megjithë përpjekjet e mëdha që idhujtsarët bënë për të kapur Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), i cili ishte vetëm me Ebu Bekrin dhe pa asnjë lloj ushtrie apo armatimi dhe Allahu e fshiu atë bashkë me ndjekësit e saj; kurse Fjala e Allahut, Feja e Tij dhe Njësimi i Tij – fjala “La ilahe il-la Allah” –  ishte dhe mbetet padyshim më e larta.

[20] Allahu ka fuqi absolute për të mposhtur mohuesit dhe idhujtarët, dhe askush nuk mund ta mposhtë Atë, e askush nuk mund t’i shpëtojë Atij, por Ai vepron me urtësinë e Tij absolute në rregullimin dhe drejtimin e krijesave të Tij, ashtu si do Ai.

-193-


  1. Dilni në luftë, qofshi të lehtë apo të rëndë,[1] dhe luftoni me pasurinë dhe jetën tuaj në rrugën e Allahut![2] Kjo është më e mirë për ju, sikur ta dinit![3]
  2. Sikur fitorja të ishte e afërt dhe udhëtimi i shkurtër, ata (hipokritët) do të të pasonin ty, por atyre iu duk udhëtim i gjatë e i vështirë.[4] Ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundësi, me siguri do të dilnim me ju”;[5] duke shkatërruar kështu vetveten;[6] e Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.[7]
  3. Allahu të fali ty (Muhamed); pse u dhe atyre leje të qëndrojnë, para se të bëhej e qartë se kush thoshte të vërtetën dhe të dije se kush ishin gënjeshtarët.[8]
  4. Ata që besojnë në Allahun dhe Ditën e Fundit nuk do të të kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre.[9] Allahu i di mirë ata që i ruhen Atij.[10]
  5. Leje do të të kërkojnë vetëm ata që nuk besojnë në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe zemrat e të cilëve dyshojnë.[11] Ata vazhdojnë të lëkunden në dyshimin e tyre.[12]
  6. Sikur ata (hipokritët) të kishin dashur të dilnin (në luftë), do të bënin ndonjë përgatititje për të;[13] por Allahu nuk e pëlqeu daljen e tyre, prandaj i shkurajoi[14] dhe atyre iu thuhej: “Qëndroni me ata që qëndrojnë në shtëpi!”[15]
  7. Sikur të kishin dalë me ju, nuk do t’ju shtonin tjetër përveç hutimit dhe do të futeshin mes jush, duke kërkuar përçarjen tuaj;[16] sepse edhe në mesin tuaj ka dëgjues të zellshëm të tyre.[17] E Allahu di mirë për të padrejtët.[18]

[1] Dilni në luftë, o besimtarë, kur ju thërret i Dërguari i Allahut, qoftë nëse e keni të lehtë daljen në luftë, apo të vështirë; qofshi të rinj apo të moshuar, të fuqishëm apo të dobët, të pasur apo të varfër – nëse keni mjet udhëtimi dhe armë lufte apo nuk keni; që të gjithë duhet t’i përgjigjeni thirrjes së të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe të përgatiteni për luftën e Tebukut.

[2] Shpenzoni pasurinë tuaj për përgatitjen e ushtrisë për luftë në rrugën e Allahut, dhe luftoni me jetën tuaj kundër mohuesve të Allahut – romakëve, në Tebuk – deri sa ata të japin haraçin të përulur, dhe Allahu t’i poshtërojë ata dhe t’ju japë fitoren mbi ta.

[3] Që të dilni në luftë në rrugë të Allahut është më e mirë për ju sesa të bëheni të rëndë, të përtoni dhe të kënaqeni me atë pak kënaqësi të dynjasë, nëse e dini dhe e kuptoni të vërtetën e asaj që ju sqarohet në lidhje me vlerën e xhihadit në rrugë të Allahut.

[4] Kështu që nuk dolën bashkë me ty dhe besimtarët për në luftën e Tebukut.

[5] Hipokritët i kërkuan lejë të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) që të mos shkonin bashkë me të dhe besimtarët në luftën e Tebukut, duke paraqitur justifikime të pavërteta dhe gënjeshtra.

[6] Shkaktërrojnë dhe i bëjnë dëm vetvetes me betime të rrejshme, duke tërhequr zemërimin dhe dënimin e Allahut ndaj vetes së tyre, për shkak të betimit të rrejshëm.

[7] Në betimet e tyre se gjoja nuk kishin mundësi të dilnin në luftë, ndërkohë që i kishin të gjitha mundësitë, fuqinë e trupit dhe mundësinë material të nevojshme për udhëtim dhe luftë.

[8] Allahu e qorton të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem) për shkak se ai i dha lejë të qëndrojnë në Medine dhe të mos dalin në luftë, të gjithë atyre që i kërkuan lejë prej hipokritëve, pa i vërtetuar justifikimet e tyre dhe pa e nxjerrë hapur gënjeshtrën dhe hipokrizinë e tyre.

[9] Allahu i tregon të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) dhe të gjithë besimtarëve, se nga shenjat e hipokritëve është se ata nuk shkojnë në luftë në Rrugën e Allahut, por kërkojnë lejë që të mungojnë duke paraqitur justifikime të rrejshme; kurse besimtarët e vërtetë nuk kërkojnë kurrë lejë që të mungojnë nga lufta në rrugën e Allahut, sepse ata e dinë mirë detyrën e tyre në këtë rast si dhe vlerën e xhihadit në rrugën e Allahut dhe shpërblimin që i pret tek Allahu; ndryshe nga hipokritët që nuk e besojnë Allahun dhe botën tjetër.

[10] Allahu i di mirë ata që i frikësohen Atij; që i ruhen ndalesave të Tij; që zbatojnë urdhrat e Tij dhe që garojnë në bindjen ndaj Tij në luftimin e armiqve të Tij, me pasurinë dhe jetën e tyre.

[11] Leje për të mos shkuar në luftë, o Muhamed, do të të kërkojnë vetëm ata që nuk e besojnë Allahun dhe ditën e Kiametit, dhe zemrat e të cilëve dyshojnë në vërtetësinë e Njësimit të Allahut dhe në shpërblimin e atyre që veprojnë në bindje ndaj Tij apo në dënimin e atyre që e mohojnë Atë dhe shkelin ligjet e Tij; e ata janë hipokritët.

[12] Vazhdojnë të qëndrojnë në dyshimin e tyre të humbur në detin e hezitimit dhe mëdyshjes, pa arritur kurrë te e vërteta dhe pa e dalluar kurrë të vërtetën nga e pavërteta.

[13] Por ata nuk bënë asnjë lloj përgatitje apo përpjekje e lëvizje që të dukej se po përgatiteshin për luftë, por menjëherë nxorën justifikime sikur nuk i kishin mundësitë për të dalë në luftë.

[14] I bëri që t’iu dukej udhëtim i gjatë dhe i vështirë, dhe të përtonin e të preferonin të qëndronin në shtëpi dhe në arat e tyre, dhe të mos i bashkoheshin besimtarëve në luftën e Tebukut, sepse ata do i dëmtonin besimtarët në atë udhëtim dhe luftë, dhe nuk do i ndihmonin aspak, dhe sepse dalja në atë luftë kishte shpërblim të madh tek Allahu, që nuk e meritonte veçse besimtarët e sinqertë dhe të vërtetë, kurse këta ishin hipokritë, që nuk ia donin të mirën besimtarëve dhe Islamit.

[15] Qëndroni në shtëpi me të moshuarit, gratë, fëmijët dhe të paaftët për luftë, dhe mos dilni në luftë me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët.

[16] Allahu e dinte se hipokritët do të fusnin hutim, përçarje dhe armiqësi mes besimtarëve, nëse do të dilnin me ta në luftën e Tebukut, sepse këtë bëjnë gjithnjë, prandaj edhe i shkurajoi dhe i pengoi ata nga dalja në luftë me besimtarët.

[17] Në mesin e besimtarëve kishte njerëz mendjelehtë, të cilët i vinin veshin fjalëve të hipokritëve dhe mashtroheshin prej tyre, dhe këta do të bëheshin vërtet problem, sepse do të shkaktonin përçarje dhe armiqësi midis vetë besimtarëve, dhe kështu nuk do të ishin më në gjëndje për të luftuar armikun ku ishin nisur. Mund të ketë gjithashtu kuptimin: Në mesin tuaj, o besimtarë, ka njerëz që fjalët që i dëgjojnë nga ju, ua thonë hipokritëve, pa pasur qëllim tradhtinë, por ngaqë nuk e dinë se ata janë hipokritë, ose nga mendjelehtësia.

[18] Allahu e di mirë kush janë të padrejtët, hipokritët e mohuesit, dhe e di mirë çfarë dhe si veprojnë ata, kështu që i mëson besimtarëve si të ruhen prej tyre dhe çfarë rreziqesh ka nëse qëndrojnë dhe përziehen me ta.

-194-


  1. Ata edhe më parë janë përpjekur për përçarjen tuaj[1] dhe i kanë pështjelluar çështjet e tua,[2] deri sa erdhi e Vërteta[3] dhe triumfoi çështja e Allahut;[4] dhe ata e urrejnë këtë.[5]
  2. Disa prej atyre (hipokritëve) thonë: “Më lejo (të qëndroj në shtëpi) dhe mos më vër në sprovë!”[6] Por ata kanë ranë tashmë në sprovë.[7] Me të vërtetë, Xhehenemi i përfshin tërësisht mohuesit.[8]
  3. Nëse ty të vjen ndonjë e mirë, kjo i brengos ata; dhe nëse të godet ndonjë e keqe, ata do të thonë: “Ne i morëm masat që më parë”; [9] dhe do të largohen të gëzuar.[10]
  4. Thuaj: “Ne nuk do të na godasë asgjë tjetër përveç asaj që Allahu ka caktuar për ne;[11] Ai është Mbrojtësi ynë.”[12] Dhe vetëm tek Allahu të mbështeten besimtarët![13]
  5. Thuaj: “A prisni për ne tjetër, përveçse njërës prej dy më të mirave (fitores ose martirizimit)?[14] Ndërsa ne po presim që Allahu t’ju godasë me dënim nga Vetë Ai ose nga duart tona.[15] Pra, pritni se me të vërtetë, edhe ne po presim bashkë me ju.”[16]
  6. Thuaj: “Shpenzoni me hir a me pahir, nga ju nuk do të pranohet kurrsesi,[17] sepse ju keni qenë gjithnjë popull i pabindur.”[18]
  7. Ajo që e pengoi pranimin e shpenzimeve të tyre (nga Allahu), ishte vetëm ngase ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, namazit nuk i afrohen veçse me përtesë dhe nuk shpenzojnë veçse me përbuzje.[19]

[1] Kur emigruat nga Meka në Medine, hipokritët, me në krye Abdullah ibën Ubej ibën Selul, u përpoqën të fusin përçarje mes besimtarëve, dhe po ashtu në luftën e Uhudit, kur ata ikën nga lufta dhe i lanë besimtarët.

[2] I nxisnin njerëzit ta vinin në dyshim profetësinë tënde dhe ta mohonin atë që të shpallej nga Allahu.

[3] Deri sa ju erdhi ndihma e Allahut.

[4] Triumfoi dhe u ngrit feja e Allahut, Islami.

[5] Hipokritët urrenin më parë që feja e Allahut të triumfonte mbi idhujtarët, ndërsa tani urrejnë që feja e Allahut dhe besimtarët të triumfojnë mbi mohuesit prej romakëve e të tjerë.

[6] Mos na fut në gjynah duke na marrë me vete në vendet e njerëzve të verdhë – romakëve, sepse ne tundohemi nga gratë e tyre! Duke pretenduar se kishin qëllim të ruheshin nga e keqja dhe mëkati, ndërkohë që ata ishin në mëkat edhe më të madh – hipokrizinë e tyre.

[7] Sepse kanë kundërshtuar urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[8] Zjarri i Xhenemit do i përfshijë nga të gjitha anët, do i rrethojë dhe do i bashkojë të gjithë ata që kanë mohuar Allahun dhe provat e Tij, dhe që kanë përgënjeshtruar të dërguarit e Allahut, kështu që hipokritët i pret ky zjarr.

[9] Nëse ty, o Muhamed, të vjen ndonjë e mirë me të cilën Allahu të gëzon, siç është çlirimi i tokave romake në luftën e Tebukut, kjo gjë e brengos El Xhedd ibën Kajs dhe hipokritët e tjerë si ai; dhe nëse të godet ndonjë e keqe, dhe ushtria jote dështon në luftën e Tebukut, atëherë hipokritët do të thonë: “Ne i morëm masat që më parë, duke mos dalë në luftë me Muhamedin, sepse e dinim se ai do të dështonte përballë një fuqie të madhe si romakët.”

[10] Do largoheshin nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) të gëzuar që atë dhe shokët i goditi e keqja dhe u mundën e u vranë. Këtë prisnin dhe uronin hipokritët, por sigurisht që Allahu do i poshtëronte ata dhe do të ngrinte e lartësonte të Dërguarin, Fenë e Tij dhe besimtarët.

[11] Në paracaktimin e Tij, në El leuhul Mahfudh.

[12] Mbrojtësi dhe ndihmuesi ynë kundër armiqve të Tij dhe tanë.

[13] Çdo besimtar duhet t’i mbështetet vetëm Allahut, sepse vetëm nëse mbështeten tek Allahu dhe e presin fitoren vetëm nga Ai dhe nga askush e asgjë tjetër, si dhe nuk kanë frikë askënd dhe asgjë tjetër përveç Tij, atëherë Allahu do i plotësojë të gjitha nevojat e tyre dhe do i ndihmojë kundër kujtdo që i kërcënon dhe i lufton ata.

[14] Thuaj hipokritëve, o Muhamed, se juve nuk mund t’ju ndodhë veçse një nga dy gjërat më të mira të kësaj bote: Ose fitorja kundër armikut tuaj, ku ju do të keni shpërblim të madh nga Allahu, plaçkë lufte dhe shëndet të plotë; ose martirizimi nga armiku juaj, pra do të jeni dëshmorë në rrugë të Allahut dhe do të fitoni xhenetet më të larta e do të shpëtoni nga zjarri i xhehenemit; dhe që të dyja këto janë më të mirat që ekzistojnë për njeriun në këtë botë. Pra, ajo që presin hipokritët t’u ndodhë besimtarëve dhe që mendojnë se është e keqe për ta, ajo në realitet është e mirë në çdo rast. Kurse ajo që presin besimtarët për hipokritët, ajo është vërtet gjë e keqe dhe e mjerueshme.

[15] Po presim që Allahu t’ju zbresë dënim nga qielli dhe t’ju shkatërrojë të gjithëve, ose t’ju dënojë me anë të duarve dhe shpatave tona, duke na mundësuar vrasjen tuaj.

[16] Dhe të shohim çfarë do të bëjë Allahu me ne dhe çfarë përfundimi do të ketë secili grup.

[17] Qoftë nëse ju, o hipokritë, shpenzoni me apo pa dëshirë nga pasuria juaj për çështjen e Allahut, për këtë luftë apo për ndonjë qëllim tjetër fetar, Allahu nuk do ta pranojë bamirësinë tuaj dhe nuk do t’ju shpërblejë për të në botën tjetër, sepse ju nuk e besoni atë botë dhe jeni në dyshim për vërtetësinë e fesë tuaj apo për profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem); dhe personave të tillë nuk iu pranohet asnjë vepër apo bamirësi tek Allahu.

[18] Të dalë nga bindja ndaj Allahut dhe besimi në Të.

[19] Allahu sqaron shkakun e mospranimit të bamirësisë dhe veprave të tjera të mira që bëjnë hipokritët: Mohimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij; përtesa në kryerjen e namazit, i cili iu duket aq i rëndë sa janë gati ta lënë nëse nuk do të zbuloheshin, sepse ata nuk shpresojnë shpërblim apo ndëshkim; dhe urrejtja që kanë për Islamin dhe muslimanët kur u japin atyre nga pasuria e tyre, të detyruar. Pra, pa pasur besimin, asnjë vepër e mirë nuk pranohet nga Allahu, sado e madhe apo e vogël që të jetë.

-195-


  1. Mos të të bëjë përshtypje as pasuria as fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote,[1] dhe t’u dalë shpirti duke qenë mosbesimtarë.[2]
  2. Ata betohen në Allahun se janë prej jush, ndërkohë që nuk janë prej jush; por janë njerëz frikacakë.[3]
  3. Sikur ata të gjenin ndonjë strehim, shpella apo vrimë në tokë, do ia mbathnin atje me nxitim.[4]
  4. Prej tyre ka disa që të kritikojnë në lidhje me ndarjen e lëmoshave;[5] Nëse u jepet ndonjë pjesë, ata kënaqen, por nëse nuk u jepet, zemërohen menjëherë.[6]
  5. (Do ishte më mirë) Sikur ata (hipokritët) të kënaqeshin me atë që u dha Allahu dhe i Dërguari i Tij,[7] dhe të thoshin: “Na mjafton Allahu! Allahu do të na japë nga mirësitë e Tij; edhe i Dërguari i Tij. Ne vetëm nga Allahu shpresojmë”.[8]
  6. Lëmoshat e Zekatit u takojnë vetëm:[9] të varfërve, nevojtarëve,[10] punonjësve të administrimin e tij (zekatit),[11] atyre që shpresohet t’u zbuten zemrat,[12] skllevërve që duan të blejnë lirinë,[13] atyre që kanë borxhe,[14] luftëtarëve në rrugën e Allahut[15] dhe udhëtarit të mbetur rrugëve[16] – ky është detyrim i caktuar nga Allahu.[17] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[18]
  7. Prej tyre (hipokritëve) ka edhe të atillë që e lëndojnë të Dërguarin[19] dhe thonë: “Ai është vesh që dëgjon”.[20] Thuaj (o Muhamed): “Ai dëgjon dhe pranon vetëm të mirën nga ju,[21] beson në Allahun dhe u beson besimtarëve,[22] dhe është mëshirë për ata që besojnë midis jush.”[23] Kurse ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut, do të kenë dënim të dhembshëm.[24]

[1] Duke i detyruar të shpenzojnë prej saj detyrimet fetare si zekati dhe lëmosha, të cilat ata i japin me pahir, sepse nuk shpresojnë shpërblim nga Allahu si besimtarët, dhe kështu që nxjerrja e pasurisë për fenë, është një torturim dhe ndëshkim i madh për ta në jetën e kësaj bote. Po kështu, i ndëshkon me fatkeqësi në fëmijët dhe pasuritë e tyre, duke i bërë të vuajnë në jetën e kësaj bote, para botës tjetër.

[2] Të vdesin duke qenë mosbesimtarë, mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe kështu të meritojnë përjetësinë në zjarrin e xhehenemit.

[3] Hipokritët betohen rrejshëm se janë prej jush, o besimtarë, dhe në fenë e besimin tuaj, ndërkohë që ata nuk janë prej jush, por janë njerëz që dyshojnë dhe hipokritë, dhe janë njerëz që kanë frikë nga ju, prandaj thonë me gjuhët e tyre se janë prej jush, që të mos vriten apo dëbohen.

[4] Sikur këta hipokritë të gjenin ndonjë vend strehimi ku do të ndjeheshin të sigurt nga ju, o besimtarë, ose të gjenin shpella nëpër male apo vrima në tokë ku të hynin e të fshiheshin nga ju, do ia mbathnin atje me të katra; por ata vazhdonin të qëndronin në mesin e besimtarëve megjithëse i urrenin ata dhe fshihnin mosbesimin në zemrat e tyre, vetëm e vetëm që të ruanin pasuritë, familjet dhe shtëpitë e tyre, sepse tashmë ishin shtetas të atij vendi; dhe kështu që shprehnin me gjuhët e tyre besimin dhe fshihnin në zemrat e tyre mosbesimin, deri në fund të jetës së tyre, pa u ndikuar nga provat e Allahut që i panë me sytë e tyre dhe pa u kthyer kurrë me pendim tek Allahu dhe feja e Tij, megjithëse mundësia iu ishte dhënë gjatë gjithë jetës së tyre për të ndryshuar.

[5] Prej hipokritëve, ka të atillë që të kritikojnë ty, o Muhamed, në lidhje me ndarjen e lëmoshave që jepnin të pasurit për të varfërit, duke të thënë që nuk i ndan në mënyrë të drejtë.

[6] Kritika e tyre nuk është me vend, dhe ata e dinë shumë mirë këtë, por qëllimi i tyre është që të marrin ndonjë pjesë nga lëmoshat, prandaj, kur atyre u jepej ndonjë pjesë, ata kënaqeshin, e në të kundërt, zemëroheshin menjëherë dhe kritikonin të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) padrejtësisht.

[7] Do ishte me mirë për hipokritët sikur ata të ishin kënaqur me atë që i ka furnizuar Allahu prej bujarisë së Tij, dhe i Dërguari i Allahut prej lëmoshave të njerëzve.

[8] Vetëm nga Allahu shpresojmë dhe kërkojmë të na e shtojë mirësinë dhe begatinë e Tij, që të mos kemi nevojë për njerëzit dhe lëmoshat e tyre.

[9] Zekati i detyruar i pasurisë, duke përjashtuar lëmoshat vullnetare, i takon vetëm tetë llojeve të njerëzve që i ka përmendur Allahu në këtë ajet, dhe nuk nuk lejohet t’i jepet ndokujt tjetër që nuk përfshihet në këto lloje; kurse lëmoshat e tjera vullnetare mund të jepen lirshëm në çdo rrugë bamirësie.

[10] Lloj i parë dhe i dytë i atyre që u takon nga zekati: të varfërit dhe nevojtarët; megjithëse në kuptim të përafërt, këtu janë quajtur dy lloje të ndryshme, dhe dallimi mes tyre ështe se i varfëri ka më shumë nevojë se nevojtari; i varfëri nuk ka asgjë nga mjetet elementare të jetesës, ose ka më pak se gjysma e asaj që do i mjaftonte, kurse nevojtari ka më shumë se gjysma e asaj që do i mjaftonte; Thuhet gjithashtu se dallimi mes të varfërit dhe nevojtarit është se i varfëri (fakir) është ai që nuk i ka mjetet e jetesës por megjithatë nuk i kërkon dhe nuk i lyp njerëzve, kurse nevojtati (miskin) është ai që nuk i ka mjetet e jetesës por i kërkon dhe i lyp njerëzve. Me këtë kuptim, i varfëri është më i dashur te Allahu se nevojtari (miskin).

[11] Lloj i tretë: Të punësuarit në mbledhjen, ruajtjen, regjistrimin, shpërndarjen, apo çdo lloj pune që lidhet me administrimin e zekatit.

[12] Lloj i katërt: Ata persona që janë zotërinj në popullin apo fisin e tyre, për të cilët shpresohet të hyjnë në Islam, ose t’u forcohet besimi, ose për t’u ruajtur nga e keqja e tyre; pra këtyre u jepet nga zekati me qëllim të afrimit të zemrës së tyre nga Islami ose me qëllim të ruajtjes nga dëmi i tyre. Kuptohet që këtë gjë e përcakton prijësi i muslimanëve apo organet e ngarkuara nga ai.

[13] Lloj i pestë: Skllevërit të cilët kanë bërë marrëveshje me zotërinjtë e tyre për të paguar lirinë e vet, duke punuar jashtë kohës që i duhen zotërinjve të tyre. Këtyre u takon nga zekati deri sa të plotësojnë shumën që i duhet për blerjen e lirisë. Këtu përfshihen edhe ata muslimanë që kanë rënë robër te armiku apo që janë burgosur nga armiku.

[14] Lloj i gjashtë: Ata që kanë marrë borxh për nevojat e tyre dhe të familjes së tyre, por pa e tepruar e shpërdoruar dhe jo për gjëra të ndaluara në sheriat.

[15] Lloj i shtatë: Luftëtarët në rrugën e Allahut, të cilët janë vullnetarë dhe nuk marrin rrogë; këtyre u jepet nga zekati për të plotësuar nevojat e tyre në mjete lufte dhe mjete jetese për ta dhe familjet e tyre. Shumë dijetarë janë të mendimit se këtu përfshihen edhe ata persona që janë të fuqishëm dhe të aftë për të punuar, por që i janë dedikuar kërkimit të dijes fetare dhe nuk kanë kohë të punojnë, kështu që u jepet nga zekati sepse kërkimi i dijes fetare përfshihet në xhihadin në rrugën e Allahut.

[16] Lloj i tetë: Udhëtari që ka mbetur në mes të rrugës sepse i kanë humbur apo i kanë mbaruar mjetet financiare dhe nuk mund të kthehet në vendin e tij. Edhe këtij i jepet nga zekati i detyrueshëm aq sa i mjafton për t’u kthyer në vendin e tij.

[17] Ky është detyrim i caktuar dhe i detajuar nga Allahu, i cili nuk duhet të shkelet apo të tejkalohet duke ia dhënë zekatin dikujt tjetër që nuk përfshihet në këto tetë lloje, apo duke mos ia dhënë zekatin atyre që u takon dhe që janë përmendur këtu.

[18] Allahu e di mirë se çfarë ligjesh dhe rregullash janë të përshtatshme për robët e Tij, dhe me dijen e Tij e ka caktuar se kujt i takon zekati dhe të gjitha ligjet e sheriatit, dhe Ai është i Urtë në rregullimin e çështjeve të krijesave të Tij, duke e vendosur gjithçka në vendin e vet.

[19] E lëndojnë me fjalë të ulta dhe fyerje për të dhe për fenë e Tij.

[20] Pranon çdo gjë që i thuhet, pa bërë dallim mes të sinqertit apo gënjeshtarit; kështu që ne mund ta fyejmë e ofendojmë sa të duam pas krahëve, dhe nëse fjalët tona shkojnë në vesh të tij, do i kërkojmë ndjesë, dhe ai do e pranojë ndjesën tonë, sepse ai pranon çdo gjë që dëgjon.

[21] Pranon dhe beson vetëm atë që është e mirë dhe e vërtetë nga ato që thoni ju, o hipokritë! Kurse për ato ofendime e fyerje të hipokritëve ndaj të cilave ai nuk mban qëndrim por hesht, këtë e bën nga morali i tij i lartë, mos-interesimi i tij për çështjen e tyre që Allahu ia ka treguar tashmë se ku e kanë vendin, dhe për tju bindur Allahut kur i thotë që të largohen prej tyre, sepse ata janë të papastër. Kurse e vërteta brenda zemrës së tij dhe mendimi i tij, ishte ashtu si thotë Allahu në vijim të ajetit.

[22] I dërguari beson Allahun dhe gjithçka i shpallet nga Allahu, dhe beson ato që thonë besimtarët, dhe jo ato që thonë hipokritët e mohuesit e Allahut; kështu që nuk është aspak ashtu si thonë apo mendojnë ata: që ai dëgjon dhe beson e pranon gjithçka i thuhet dhe nga çdokush.

[23] Allahu e ka bërë të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) mëshirë për ata që e pasojnë  atë dhe ndjekin rrugën e tij, dhe që besojnë atë që i është shpallur nga Zoti i tij; sepse Allahu i shpëtoi ata nga humbja nëpërmjet tij, dhe u trashëgoi atyre xhenetin si rezultat i pasimit të tij dhe rrugës së tij.

[24] Në këtë botë dhe në botën tjetër.

-196-


  1. Ata ju betohen për Allahun për t’ju kënaqur (o besimtarë), por është më e drejtë të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nëse janë besimtarë.[1]
  2. Ende nuk e dinë ata, se kushdo që kundërshton Allahun dhe të Dërguarit e Tij – për të është zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të qëndrojë përjetësisht? Ky është poshtërimi i madh![2]
  3. Hipokritët druajnë se mos shpallet ndonjë sure e cila do t’i lajmërojë ata (besimtarët) se ç’ka në zemrat e tyre. Thuaj: “Vazhdoni të talleni! Por Allahu sigurisht që do ta zbulojë atë së cilës ju i druheni.”[3]
  4. Nëse i pyet, ata do të thonë: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”.[4] Thuaj: “A mos vallë me Allahun, provat e Tij dhe të Dërguarin e Tij po talleshit?”[5]
  5. Mos u shfajësoni![6] Ju mohuat, pas besimit tuaj.[7] Nëse Ne i falim disa prej jush (që pendohen), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase ishin keqbërës.[8]
  6. Hipokritët dhe hipokritet janë të njëri – tjetrit;[9] Urdhërojnë për atë që është e gabuar dhe ndalojnë nga ajo që është e drejtë, [10] dhe janë dorështrënguar.[11] Ata e kanë harruar Allahun, kështu që edhe Ai i ka harruar ata.[12] Me të vërtetë, hipokritët janë të pabindurit.[13]
  7. Allahu u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe mosbesimtarëve zjarrin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë;[14] ai do t’iu mjaftojë atyre![15] Allahu i ka mallkuar dhe ata do të kenë dënim të përhershëm.[16]

[1] Hipokritët i betoheshin besimtarëve se nuk kishin thënë gjë për të ofenduar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) apo Islamin, dhe se ato që kishin dëgjuar besimtarët ishin të pavërteta; me qëllim që t’u bënin qejfin besimtarëve dhe t’u thonin që janë në fenë e tyre dhe kundër armiqve të tyre; por Allahu ia kthen atyre duke i thënë se nëse janë vërtet besimtarë, atëherë duhet të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duke u penduar dhe duke kërkuar falje për fjalët e tyre, e jo të vazhdojnë me hipokrizi duke kërkuar të mashtrojnë besimtarët.

[2] Vendi i hipokritëve dhe mohuesve e idhujtarëve, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, është zjarri i Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përjetësisht të poshtëruar, dhe ky është poshtërimi më i madh që ekziston.

[3] Talluni ju, o hipokritë, nëse dëshironi, por ta dini se Allahu do e zbulojë dhe do e nxjerrë në pah atë që fshihni në zemra, dhe është pikërisht kjo sure, surja Teube, e cila zbuloi të vërtetën e tyre dhe cilësitë e tyre, dhe e cila është quajtur gjithashtu “Turpëruesja e Hipokritëve”.

[4] Nëse i pyet hipokritët, o Muhamed, se përse i thanë ato fjalë të tyre të rënda dhe të pavërteta kundër teje, besimtarëve dhe Islamit, ata do të thoshin se i thanë pa qëllim të keq, por duke bërë shaka dhe duke luajtur me njëri-tjetrin. Nga fjalët që thoshin hipokritët ishte: “Këta të diturit tanë – Muhamedi dhe besimtarët – janë më llupësit, më gënjeshtarët dhe më frikacakët në takimin me armikun!” Allahu i vraftë për fjalët që thoshin! E kundërta ishte e vërtetë dhe fjalët që i thanë për Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët, i përshtateshin 100% vetëm hipokritëve.

[5] Tallja me Allahun, provat e Tij dhe të Dërguarin e Tij është mosbesim që të nxjerr nga Islami nëse ke hyrë në të, sepse madhërimi i Allahut, i fesë së Tij dhe i të Dërguarit të Tij është baza e fesë dhe e besimit, kurse tallja me këto e asgjëson këtë bazë dhe e prish atë, siç e sqaron ajeti në vazhdim.

[6] Me justifikime të pavërteta, që vetë ato nxjerrin në pah hipokrizinë dhe poshtërsinë tuaj.

[7] Mohuat Allahun, Islamin dhe të Dërguarin e Allahut, dhe dolët nga Islami pasi e kishit besuar dhe pranuar atë me gojën tuaj.

[8] Nëse falim disa prej jush për shkak të sinqeritetit në pendimin dhe kërkimin e faljes nga ata, të tjerët do i dënojmë për shkak të veprës së tyre dhe qëndrimit të tyre në mohim e hipokrizi. Thuhet nga hipokritët u pendua sinqerisht vetëm njëri prej tyre, i cili quhej Mahshij ibën Humejjir el Eshxhai; dhe shkaku që Allahu i dha sukses këtij të pendohej, ishte se ky i kishte kundërshtuar hipokritët më parë në disa fjalë që kishte dëgjuar prej tyre në lidhje me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët.

[9] Janë miq të njëri-tjetrit dhe janë të gjithë njësoj në shfaqjen e besimit dhe fshehjen e mosbesimit.

[10] Hipokritët i urdhërojnë ata që dëgjojnë prej tyre për të mohuar Allahun dhe Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), si dhe atë që i është shpallur Muhamedit; dhe ndalojnë nga besimi në Allahun, Muhamedin dhe atë që i është shpallur Muhamedit; Ata urdhërojnë për të keqen dhe ndalojnë nga e mira.

[11] Janë koprracë dhe dorështrënguar kur duhet të japin zekatin e pasurisë dhe lëmoshë në rrugë të Allahut.

[12] Hipokritët kanë harruar përmendjen e Allahut dhe kanë lënë në harresë bindjen ndaj Tij, kështu që edhe Allahu i ka lënë ata larg nga suksesi, udhëzimi dhe mëshira e Tij.

[13] Që kanë dalë nga bindja ndaj Allahut dhe nga besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem). Të pabindur ndaj Allahu ka shumë kategori mohuesish, por këtu Allahu e ka kufizuar mosbindjen pikërisht te hipokritët, për të thënë se këta janë të pabindurit më të mëdhenj, të cilët do të kenë edhe ndëshkimin më të madh botën tjetër, pasi do të jenë në gradën më të ulët të xhehenemit. Vërtet, besimtarët duhet të kenë shumë kujdes nga hipokritët, nëse sprovohen duke pasur pranë ndonjërin prej tyre.

[14] Pa jetuar në të dhe pa vdekur kurrë, por vetëm duke u djegur pandërprerë.

[15] Zjarri i xhehenemit do i mjaftojë atyre si dëhim për mohimin e Allahut dhe hipokrizinë e tyre.

[16] Allahu i ka larguar ata nga mëshira e Tij, dhe si hipokritët edhe mohuesit do të kenë dënim të përhershëm tek Allahu në botën tjetër, që nuk do të mbarojë kurrë.

-197-


  1. Ju jeni si ata që kanë qenë para jush,[1] të cilët kanë qenë më të fortë se ju dhe kanë pasur më shumë pasuri dhe fëmijë.[2] Ata shijuan pjesën e vet të kësaj bote,[3] dhe ju po shijoni pjesën tuaj ashtu siç e shijuan ata para jush pjesën e tyre;[4] dhe u zhytët në të këqija, ashtu siç ishin zhytur edhe ata.[5] Të tillëve u kanë shkuar veprat kot në këtë botë dhe në botën tjetër;[6] dhe ata janë të humburit.[7]
  2. A nuk u ka arritur atyre lajmi i atyre që kanë qenë para tyre[8] – popullit të Nuhut, fiseve Ad dhe Themud, popullit të Ibrahimit, banorëve të Medjenit dhe i qyteteve të përmbysura (të popullit të Lutit)?[9] Të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta.[10] Dhe Allahu kurrë nuk do t’u bënte padrejtësi atyre, por ata i bënin padrejtësi vetvetes.[11]
  3. Ndërsa besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit.[12] Ata urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja;[13] kryejnë namazin,[14] japin zekatin[15] dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.[16] Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu.[17] Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[18]
  4. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte,[19] nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë,[20] si dhe banesa të mrekullueshme në kopshtet e Adnit;[21] por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.[22] Kjo është fitorja madhështore.[23]

[1] Thuaj, o Muhamed: Ju hipokritë, jeni njësoj si ata që kanë qenë para jush dhe që kanë vepruar njësoj si ju prej hipokrizisë dhe mohimit të Allahut. Madje ata kanë qenë më të fortë dhe më të pasur se ju, por megjithatë Allahu e shpejtoi poshtërimin e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër ata i pret dënimi më i rëndë dhe i përhershëm, dhe po kështu do të ndodhë me ju, njësoj si me ata.

[2] Por këto nuk i bënë dobi aspak përballë dënimit të Allahut për shkak të hipokrizisë dhe mohimit të tyre.

[3] Duke u kënaqur me disa stoli të përkohshme të kesaj bote dhe duke harruar botën tjetër.

[4] Edhe ju, o hipokritë, keni ndjekur rrugën e atyre që kanë qenë para jush dhe i keni dhënë përparësi jetës së kësaj bote mbi botën tjetër, ashtu si edhe ata që i kam shkatërruar para jush për shkak se shkelën Urdhrin Tim.

[5] U zhytët në mohim, hipokrizi dhe gënjeshtër ndaj Allahut dhe fesë së Tij, njësoj si edhe hipokritët e popujve të mëparshëm.

[6] Nuk do të shpërblehen për veprat e tyre veçse me zjarrin e xhehenemit, sepse ata mohonin Allahun dhe vepronin në mënyrën që Ai e urrente.

[7] Të cilët shitën kënaqësitë dhe mirësitë e botës tjetër për të shijuar një pjesë të vogël dhe kalimtare të kësaj bote.

[8] A nuk u ka arritur këtyre hipokritëve, të cilët vazhdojnë me këmbëngulje në mohimin e Allahut dhe hipokrizi, lajmi i popujve të mëparshëm të cilët përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut dhe thyen urdhrat e Tij; se si Allahu i ndëshkoi ata me ndëshkim nga qielli apo toka, duke i shfarosur të gjithë nga kjo botë, për t’i çuar në botën tjetër, ku i pret dënimi edhe më e dhembshëm dhe i përhershëm? A nuk po merrni mësim?!

[9] Populli i Nuhut u ndëshkua me përmbytje; Fisi Ad nga populli i Hudit u ndëshkua me erë të fortë dhe zë të fortë nga qielli; Fisi Themud nga populli i Salihut u ndëshkua me dridhjen e fortë të tokës; Populli i Ibrahimit u ndëshkua me skamje dhe vdekje të mbretit të tyre, Nemrudit; Njerëzit e Medjenit, birit të Ibrahimit, u ndëshkuan me renë e zezë nga qielli kur përgënjeshtruan të Dërguarin e Allahut, Shuajbin; Dhe qytetet që u përmbysën duke u shkulur nga rrënjët dhe duke u zhytur përmbys në tokë, ishin tre qytetet e popullit të shthurur të Lutit, të cilët u shkulën dhe u përmbysën të tre njëherësh, pra ishin tre qytete apo vendbanime pranë njëri-tjetrit.

[10] Të gjithë këtyre popujve që u dënuan nga Allahu me shkatërrim dhe shfarosje, u patën ardhur të Dërguarit e Allahut dhe ua patën sqaruar provat e Allahut, por ata mohun dhe përgënjeshtruan, edhe pse i panë me sytë e tyre të gjitha provat.

[11] Ndëshkimi dhe shkatërrimi që Allahu u bëri atyre popujve ishte për shkak se ata e merituan atë me veprat e tyre në kundërshtim me urdhrin e Krijuesit dhe Zotit të tyre, dhe jo padrejtësisht nga Allahu, sepse Allahu nuk i bën padrejtësi krijesave të Veta.

[12] Besimtarët dhe besimtaret (burrat dhe gratë) janë miq, ndihmues, aleatë dhe të dashur të njëri-tjetrit.

[13] Urdhërojnë për të besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe për të vepruar në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij; dhe ndalojnë nga e kundërta e këtyre dhe nga çdo vepër e keqe dhe e shëmtuar.

[14] Kryejnë rregullisht namazin e detyrueshëm ditor.

[15] Ia japin zekatin e detyrueshëm të pasurisë së tyre atyre që u takon prej të varfërve dhe atyre që janë përmendur në ajetin 60 të kësaj sure.

[16] Zbatojnë të gjitha urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe i largohen ndalesave të tyre.

[17] Vetëm këta do të mëshirojë Allahu, do i shpëtojë nga dënimi i Tij dhe do i fusë në xhenetin e Tij.

[18] Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë, dhe askush e asgjë nuk mund ta pengojë të bëjë atë që dëshiron, por megjithatë, Ai vepron me Urtësinë e Tij absolute dhe e vendos çdo gjë në vendin e vet, dhe i jep secilit atë që meriton.

[19] Allahu u ka premtuar besimtarëve të cilët besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i binden atyre, si burrave edhe grave besimtare, kopshtet e xhenetit nën pemët e të cilëve rrjedhin lumenj.

[20] Kënaqësia dhe lumturia e tyre në xhenet do të jetë e përhershme, ashtu si edhe ata që do të jenë të përjetshëm.

[21] Kopshtet e Adnit d.m.th. kopshtet e banesës së përhershme, të mirat e së cilës nuk mbarojnë kurrë. Thuhet gjithashtu se Adeni është kryeqyteti i Xhenetit dhe tavani i tij është Arshi i Allahut të Madhëruar. Ibën Abasi ka thënë se Aden është mesi i Xhenetit. El Hasen e Basri ka thënë se Aden është një kështjellë prej ari ku nuk do të hyjnë veçse të dërguarit e Allahut, të sinertët, dëshmorët dhe prijësit e drejtë. Të tjerë thonë se Aden është grada më e lartë e Xhenetit ku ndodhet edhe burimi i quajtur  Tesnim, kurse xhenetet e tjera ndodhen rreth tij; dhe Adeni është i mbuluar dhe i mbyllur që në ditën kur e ka krijuar Allahu, dhe nuk do të hapet deri sa të futen në të profetët, të sinqertët, dëshmorët, njerëzit e mirë e të devotshëm, dhe ata që do Allahu t’i fusë në të. [Kurtubiu].

[22] Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve ndërtesa të mrekullueshme në kopshtet e Adnit – banesës së përhershme, mirësitë dhe begatitë e së cilës nuk ikin dhe nuk mbarojnë kurrë; ndërtesa luksoze të larta dhe të tejdukshme, prej gurëve të çmuar, ku ata përjetojnë kënaqësi dhe qetësi të papërshkrueshme; por kjo nuk është gjithçka, sepse ka diçka edhe më të madhe se të gjitha të mirat e xhenetit, e ajo është kënaqësia dhe miratimi i Allahut ndaj tyre, dhe shfaqja e madhështisë së Tij para tyre që ata ta shohin Zotin e tyre drejtpërdrejtë; sepse Ai është Synimi që kanë të gjithë robët e Tij të sinqertë dhe Fundi ku duan të arrijnë ata që e duan Zotin e tyre; padyshim se arritja e miratimit dhe kënaqësisë së Zotit të botëve është më e madhe se të gjitha kënaqësitë e xhenetit.

[23] Kjo është fitorja dhe arritja më madhështore, sepse ata shpëtuan nga zjarri, fituan xhenetin ku do të jenë përjetësisht, dhe arritën gjithashtu synimin final dhe qëllimin më të madh: kënaqësinë e Zotit të tyre dhe shikimin tek Ai pa perde. O Zoti ynë, na bëj prej tyre dhe na bashko me ata!

-198-


  1. O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre![1] Streha e tyre është Xhehenemi; sa përfundim i keq.[2]
  2. Ata (hipokritët) betohen për Allahun se nuk kanë thënë asgjë,[3] por në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit,[4] mohuan pas Islamit të tyre[5] dhe planifikuan atë që nuk e arritën.[6] Ata nuk kishin mëri veçse për faktin se Allahu dhe i Dërguari i Tij i pasuroi nga mirësia e Tij.[7] Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta;[8] por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë botë dhe në botën tjetër,[9] dhe për ta nuk do të ketë në Tokë asnjë mbrojtës apo ndihmës.[10]
  3. Prej tyre (hipokritëve) ka nga ata që kanë lidhur besë me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi prej të mirëve!”[11]
  4. Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Tij, ata u bënë koprracë[12] dhe i kthyen shpinën,[13] duke vazhduar të shmangen.[14]
  5. Kështu, Ai i ndëshkoi ata me rrënjosjen e hipokrizisë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do ta takojnë Atë[15] – sepse ata e shkelën besën e dhënë Allahut dhe sepse gënjenin vazhdimisht.[16]
  6. A nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre[17] dhe bisedat e tyre të fshehta,[18] dhe se Allahu është i Gjithëdituri i të gjitha të fshehtave?![19]
  7. Ata që përqeshin besimtarët që japin lëmoshë vullnetarisht dhe tallen me ata që nuk gjejnë të japin gjë përveç përpjekjes së tyre – Allahu do të tallet me ta dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.[20]

[1] I luftoni mohuesit e Allahut dhe hipokritët me çdo lloj arme dhe mundësie, dhe tregohuni të ashpër me ta përderisa e kërkojnë rrethanat. Këtu përfshihet lufta dhe xhihadi me dorë, shpatë, gjuhë, laps dhe sqarim.

[2] Nuk ka më të keq se fundi i tyre: në zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë.

[3] Kur hipokritët thonin fjalë të këqija apo tallje kundër të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) apo Islamit, pastaj mësonin se atij i kishte shkuar fjala e tyre, ata shkonin tek ai dhe i betoheshin se nuk kishin thënë asgjë të keqe kundër tij apo Islamit, kështu që Allahu i përgënjeshtroi dhe e zbuloi të vërtetën e tyre.

[4] Thanë fjalë që mohon Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe u tallën me të Dërguarin e Allahut dhe Islamin.

[5] Pas Islamit të shfaqur prej tyre më parë, i cili edhe nëse i kishte nxjerrë nga rrethi i mosbesimit, me fjalët që thanë tani dhe me talljen e tyre me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata dolën nga Islami dhe u futën në rrethin e mosbesimit.

[6] Hipokritët kishin planifikuar të shkaktonin dështim të Dërguarit të Allahut dhe të besimtarëve në luftën e Tebukut, por Allahu ia zbuloi të Dërguarit të Tij planin e tyre dhe i pengoi ata nga realizimi i tij.

[7] Pasi kishin qenë të varfër dhe të skamur, Allahu i pasuroi ata duke inspiruar të Dërguarin e Tij që t’u caktojë atyre pasuri të caktuara, por megjithatë, ata e shpërfillën këtë gjë dhe vazhduan në mohimin dhe hipokrizinë e tyre.

[8] Nëse pendohen për fjalët e mosbesimit dhe talljet e tyre me të Dërguarin dhe fenë e Allahut, dhe kthehen në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që kjo është më mirë për ta në këtë botë dhe në botën tjetër.

[9] Dënimi i rëndë në këtë botë është me vrasjen e tyre në duart e besimtarëve, ose me turpërim dhe poshtërim, kurse në botën tjetër me futje në zjarrin e Xhehenemit.

[10] Nëse Allahu i dënon hipokritët në këtë botë, askush nuk do e pengojë këtë gjë, sepse askush nuk mund t’i ndihmojë dhe mbrojë ata nga dënimi i Allahut, edhe pse kanë fis, miq e aleatë, por askush prej tyre nuk mund t’i mbrojë nga Allahu, dhe as vetveten nuk mund të mbrojnë.

[11] Disa nga hipokritët që ishin në atë kohë në Medine, madje të gjithë hipokritët në çdo kohë e vend, thonë: “Nëse Allahu do të na japë nga mirësitë e Tij dhe do të na pasurojë, ne do të japim lëmoshë prej saj dhe do të bëhemi bamirës e do të veprojnë veprat e njerëzve të mirë, qoftë në lidhje me adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut, apo në lidhje me bamirësinë ndaj njerëzve.” Por nëse Allahu u jep nga mirësitë e Tij, ata e thyejnë besën dhe premtimin e tyre.

[12] Nuk dhanë lëmoshë nga pasuria që iu dha Allahu, as shpenzuan prej saj në rrugë të Allahut, ashtu si premtuan.

[13] I kthyen shpinën besëlidhjes që kishin me Allahun, dhe bindjes e nënshtrimit ndaj Allahut.

[14] Duke mos i kthyer sytë nga e mira dhe duke mos menduar të bëjnë mirë.

[15] Sa të jenë gjallë në këtë botë – sepse me vdekjen e tyre mbaron gjithçka në këtë botë, deri sa të dalin para Allahut për të dhënë llogari.

[16] Këto janë nga cilësitë kryesore të hipokritëve: shkelja e besës apo e premtimit dhe gënjeshtra; siç ka thënë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Shenjat e hipokritit janë tre: Kur flet, gënjën; kur lidh besë, tradhton; dhe kur premton, e shkel premtimin.”

[17] Sekretet që i fshehin në veten e tyre prej mohimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[18] Kur flasin me njëri-tjetrin me fyerje dhe tallje për Islamin dhe muslimanët.

[19] Allahu di gjithçka që nuk mund ta dinë krijesat e Tij, sado e fshehtë që të mbahet, dhe Allahu e di çfarë fshehin hipokritët kundër besimtarëve, kështu që ata nuk mund t’i fshihen Allahut dhe nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të Tij për atë që bëjnë kundër Islamit dhe muslimanëve.

[20] Hipokritët nuk lënë gjë pa përdorur kundër besimtarëve, si e si që t’i lëndojnë, akuzojnë, tallen dhe fyejnë; për besimtarët që japin lëmoshë vullnetare nga pasurie që u ka dhuruar Allahu, ata thonë se këta e japin lëmoshën për t’u dukur dhe sa për sy e faqe, dhe jo për hir të Allahut; kurse me besimtsarët e varfër, të cilët nuk kanë mundësi të japin lëmoshë përveç punës me trupin e tyre, hipokritët tallen me këta duke thënë se Allahu nuk ka nevojë për lëmoshën e këtyre. Ata tallen me besimtarët, por Allahu ua kthen talljen e tyre të padrejtë dhe të përkohshme në këtë botë, me tallje të drejtë nga Ai në këtë botë dhe me dënim të dhembshëm dhe të përhershëm në botën tjetër.

-199-


  1. Qoftë nëse kërkon falje për ta (o Muhamed) apo nuk kërkon falje për ta, madje edhe nëse kërkon falje për ta shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t’i falë ata![1] Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e pabindur.[2]
  2. Ata që qëndruan në shtëpitë e tyre, në kundërshtim të të Dërguarit të Allahut, u gëzuan me qëndrimin e tyre në shtëpi dhe urryen që të luftonin me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut,[3] dhe thanë: “Mos shkoni në luftë nëpër vapë!”[4] Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është shumë më i nxehtë!” – nëse do ta kuptonin![5]
  3. Pra, le të qeshin pak e (pastaj) të qajnë shumë si shpërblim për atë që kanë fituar.[6]
  4. Nëse Allahu të kthen (pas luftës) te një grup i hipokritëve, e ata të kërkojnë leje për të dalë në luftë (herë tjetër), thuaju:[7] “Kurrë nuk do të dilni me mua në luftë dhe kurrë nuk do të luftoni me mua kundër asnjë armiku! Ju u kënaqët me qëndrimin në shtëpi herën e parë,[8] kështu që qëndroni përsëri me ata që qëndrojnë prapa!”[9]
  5. Mos ia fal kurrë xhenazenë kur të vdesë, askujt prej tyre (hipokritëve), as mos qëndro pranë varrit të tij,[10] sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vdiqën duke qenë të pabindur.[11]
  6. Mos të të bëjë përshtypje pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në këtë botë,[12] dhe t’u dalë shpirti duke qenë mosbesimtarë.[13]
  7. Kur u shpall një sure që i urdhëronte të besonin në Allahun dhe të luftonin së bashku me të Dërguarin e Tij,[14] pasanikët e tyre (hipokritëve) kërkuan lejen tënde[15] dhe thanë: “Na lër të qëndrojmë me ata që nuk shkojnë në luftë!”[16]

[1] Allahu nuk i fal hipokritët dhe nuk do ia mbulojë të këqiat dhe turpet e tyre në ditën e Kiametit, edhe nëse i Dërguari i Tij do të kërkonte falje për ta pambarim, dhe shkak për këtë është mohimi që ata i bëjnë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem); dhe mohuesit nuk i bën dobi kërkimi i faljes nga të tjerët apo vepra e tij e mirë, sepse mohimi e pengon këtë gjë, dhe e vetmja rrugë është që të hyjë në Islam dhe t’i nënshtrohet Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[2] Allahu nuk i jep sukses të udhëzohen në rrugën e drejtë dhe besimin e saktë atyre njerëzve që dalin vazhdimisht nga bindja ndaj Allahut dhe mosbindja është bërë atribut i tyre i posaçëm, të cilën nuk e ndërrojnë me asgjë tjetër, edhe nëse e shohin se bindja ndaj Allahut është më e mirë, kështu që Allahu i ndëshkon ata duke mos i dhënë sukses të udhëzohen më pas.

[3] Hipokritët, të cilët kundërshtuan urdhrin e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) për të shkuar në luftën e Tebukut, duke qëndruar në shtëpitë e tyre, u gëzuan me këtë gjë, ndryshe nga besimtarët që nuk patën mundësi fizike apo materiale të shkojnë në luftë dhe u mërzitën shumë për këtë.

[4] Duke preferuar rehatin e përkohshëm kundrejt rehatit dhe qetësisë së përhershme të botës tjetër për ata që përpiqen për çështjen e Allahut dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij duke u dhënë atyre përparësi mbi veten dhe gjithçka tjetër.

[5] Zjarri i Xhehenemit, të cilin Allahu e ka përgatitur për ata që e kundërshtojnë Urdhrin e Tij dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), ka nxehtësi shumë herë më të fortë se i nxehti i atyre ditëve të verës që ata do të shkonin në luftë në rrugën e Allahut; kështu që është më e logjikshme t’i ruhesh dhe të shpëtosh nga zjarri më i fortë dhe jo nga ai më i butë dhe i përkohshëm, por hipokritët nuk i kuptojnë këshillat e Allahut dhe nuk meditojnë në provat dhe argumentet e Tij.

[6] Le të qeshin pak hipokritët, me gëzimin e tyre që nuk shkuan në luftë me të Dërguarin e Allahut por qëndruan në shtëpi e tyre, kurse më pas të qajnë shumë në botën tjetër, në zjarrin e xhehenemit, si shpërblim për atë që fituan me duart dhe veprat e tyre kur nuk iu bindën Allahut dhe të Dërguarit të Tij për të shkuar në luftë dhe për mosbesimin dhe të gjitha mëkatet e tyre.

[7] Nëse Allahu të kthen gjallë nga lufta e Tebukut, dhe hipokritët që gjenden në Medine vijnë tek ti, o Muhamed, dhe të kërkojnë të dalin bashkë me ty në luftë herë tjetër, thuaju…

[8] Kur i Dërguari i Allahut dhe besimtarët dolën në luftën e Tebukut.

[9] Qëndroni me hipokritët e tjerë që nuk dolën në luftën e Tebukut, dhe me pleqtë, gratë e fëmijët që nuk dalin në luftë për shkak të dobësisë së tyre! Me këtë ajet, hipokritët u ndaluan të dilnin në luftë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) pas luftës së Tebukut, si ndëshkim ndaj tyre për kundërshtimin e urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij për të dalë në luftën e Tebukut, dhe si paralajmërim për ata që janë të lëkundur që të mos ndjekin rrugën e hipokritëve dhe të turpërohen si ata, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[10] Mos ia fal xhenazenë asnjë hipokriti, o Muhamed, dhe mos qëndro pranë varrit të tij pas varrosjes së kufomës me qëllim të lutjes dhe kërkimit të faljes për të; apo mos e merr përsipër varrimin e tij, as mos merr pjesë në varrim!

[11] Vdiqën duke qenë jashtë Islamit dhe nuke kundërshtuar urdhrat dhe ndalesat e Allahut. Ky ajet ka zbritur kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i fali xhenazenë Abdullah ibën Ubej ibën Selul, kokës së hipokritëve të Medines, kështu që pa zbritjes së tij, ai nuk e fali më kurrë xhenazenë e asnjë hipokriti, as nuk u lut pranë varrit të tyre pas varrimit, ashtu si bënte kur varroseshin besimtarët; dhe kjo sepse ata kanë dalë nga Islami, dhe atij që ka dalë nga Islami, nuk i bën dobi ndërmjetësimi i Profetit të Allahut dhe i askujt tjetër.

[12] Duke u lodhur në grumbullimin e pasurisë, duke pasur frikë për humbjen e saj dhe duke mos e shijuar atë. Po kështu, i ndëshkon me fatkeqësi në fëmijët e tyre, duke i bërë të vuajnë në jetën e kësaj bote, para botës tjetër.

[13] Të vdesin duke qenë mosbesimtarë, mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe kështu të meritojnë përjetësinë në zjarrin e xhehenemit.

[14] Kur Allahu i shpalli Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) një sure nga Kurani (këtë sure – Teube), e cila i urdhëronte hipokritët të besonin në Allahun dhe të luftonin idhujtarët përkrah të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)…

[15] Pasanikët e hipokritëve kërkuan nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) leje për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos dalë në luftë përkrah tij.

[16] Na lër të qëndrojmë në shtëpi me të dobtit: të sëmurët, pleqtë, gratë e fëmijët, të cilët nuk mund të shkojnë në luftë; duke mos pasur asnjë lloj arsye apo justifikimi për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos dalë në luftë përkrah të Dërguarit të Allahut dhe besitmarëve.

-200-


  1. Ata pëlqyen të ishin me ata që nuk shkojnë në luftë dhe zemrat e tyre u vulosën, kështu që ata nuk kuptojnë![1]
  2. Por, i Dërguari dhe ata që besuan bashkë me të, luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre. Ata do të kenë të gjitha të mirat dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.[2]
  3. Allahu u ka përgatitur atyre kopshte nën të cilat rrjedhin lumenj,[3] ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore.[4]
  4. Disa nga beduinët erdhën të arsyetohen që t’u jepej leje të qëndronin,[5] kurse ata që gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij qëndruan në shtëpi.[6] Ata që mohuan prej tyre, do t’i godasë një dënim i dhembshëm.[7]
  5. Nuk kanë mëkat të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk kanë çfarë të shpenzojnë, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij.[8] Ndaj punëmirëve nuk ka vend për qortim.[9] Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[10]
  6. (Nuk ka vend për qortim) As ndaj atyre të cilët, kur erdhën te ti (O Muhamed) për t’u gjetur kafshë mbartëse, ti u the: “Unë nuk mund të gjej asnjë mjet për t’ju mbartur”, atëherë ata u kthyen me sytë që u rridhnin lot nga pikëllimi që nuk mund të gjenin asgjë për të shpenzuar (për çështjen e Allahut).[11]
  7. Por qortimi ka vend ndaj atyre që kërkojnë leje nga ti, duke qenë të pasur.[12] Ata pëlqyen të ishin me ata që nuk shkojnë në luftë[13] dhe Allahu ua vulosi zemrat, kështu që ata nuk e dinë![14]

[1] Pasanikët e hipokritëve pëlqyen dhe ishin të kënaqur me qëndrimin e tyre në shtëpi si gratë dhe fëmijët, në vend që të dilnin në luftë me besimtarët, prandaj Allahu ua vulosi zemrat atyre, kështu që ata nuk kuptojnë asgjë nga këshillat e Allahut dhe nuk marrin mësim prej tyre.

[2] I Dërguari i Allahut dhe besimtarët ishin ata që i luftuan armiqtë e Allahut me gjithçka zotëronin prej pasurisë dhe me jetën e tyre, kurse hipokritët nuk bënë asgjë nga këto, madje pengonin nga rruga e Allahut dhe talleshin me besimtarët, kështu që shpërblimi, shpëtimi, fitimi dhe të gjitha të mirat e botës tjetër do të jenë vetëm për besimtarët, kurse hipokritët nuk do të kenë pjesë në to, madje do të jenë përgjithmonë në zjarr.

[3] Allahu i ka përgatitur të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarëve kopshtet e xhenetit nën pemët e të cilave rrjedhin lumenj.

[4] Arritja dhe fitorja më e madhe që mund të arrihet.

[5] Disa nga beduinët erdhën te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) për t’i kërkuar leje që të qëndronin në shtëpi dhe të mos shkonin në luftë, duke paraqitur arsyetime të ndryshme, dhe i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) u jepte leje të qëndronin, ashtu si bënte me të gjithë ata që i kërkonin leje të qëndronin.

[6] Pa pasur asnjë arsye të konsiderueshme; Ata që gënjyen në justifikimet e tyre, prej hipokritëve, qëndruan në shtëpi dhe nuk shkuan në luftë përkrah besimtarëve pa pasur arsye të pranueshme tek Allahu. Arsyet e pranueshme tek Allahu janë ato që përmenden në ajetin në vijim.

[7] Ata që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, prej atyre që gënjyen në justifikimet e tyre, do t’i godasë një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër.

[8] Vetëm këto arsye janë të pranuara nga Allahu për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos dalë në luftë në rrugën e Allahut: 1. Dobësia dhe pamundësia fizike (gratë, fëmijët dhe pleqtë); 2. Sëmundja që ta bën të pamundur daljen në luftë; 3. Mospasja e kafshës apo mjetit me të cilin mund të arrish në vendin e luftës. Vetëm për këta persona nuk ka gjynah që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në luftë, përderisa janë të sinqertë në besimin e tyre në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, dhe që nijeti i tyre është që nëse do të kishin mundësi të dilnin në luftë, do të dilnin me siguri.

[9] Për ata besimtarë që kanë arsye të pranueshme për të mos shkuar në luftë, dhe të cilët shpenzojnë për luftën nga pasuria e tyre, këshillojnë dhe nxisin të tjerët që të shkojnë në luftë për çështjen e Allahut, nuk ka vend për qortim apo për ndëshkim, sepse ata janë të sinqertë në besimin e tyre dhe bëjnë atë që kanë mundësi të bëjnë prej shpenzimit nga pasuria e tyre për çështjen e Allahut.

[10] Allahu i fal ata që nuk kanë mundësi t’i përgjigjen thirrjes së Tij dhe të Dërguarit të Tij për në luftë, dhe nga mëshira e Tij i shpërblen ata për qëllimin e tyre njësoj si shpërblimi i atyre që shkojnë në luftë.

[11] Këta ishin besimtarë të varfër, të cilët donin të jepnin kontributin e tyre me trupin dhe jetën e tyre, pasi që nuk zotëronin asgjë që të mund ta shpenzonin për luftën në rrugën e Allahut, madje as një kafshë mbartëse për veten e tyre që të mund të shkonin në luftë, nuk e kishin, kështu që i kërkuan të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) t’u gjente ndonjë kafshë që t’i mbarte, por ai nuk mund t’u gjente, kështu që ata u kthyen duke qarë me lot nga pikëllimi që nuk mund të kontribonin me asgjë për luftën në rrugën e Allahut. Për këta nuk ka qortim gjithashtu, dhe shpërblimi i këtyre është njësoj sikur të kishin shkuar në luftë dhe ta kishin vepruar atë që kishin qëllim të vepronin, por që pamundësia i pengoi.

[12] Qortimi dhe dënimi u takon atyre që kërkojnë leje për të mos shkuar në luftë me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët, duke qenë të pasur (që kanë mjet udhëtimi dhe armë lufte) dhe të fuqishëm për të luftuar, por që janë hipokritë dhe që dyshojnë në premtimin e Allahut dhe kërcënimin e Tij – në shpërblimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij.

[13] Me gratë, të cilat burrat i lënë pas në shtëpi kur shkojnë në luftë, dhe nuk i marrin me vete.

[14] Allahu ua vulosi zemrat për shkak të mohimit dhe mëkateve të tyre, kështu që ata nuk e dinë dënimin që i pret në këtë botë dhe në botën tjetër për shkak të kundërshtimit të urdhrit të Allahut dhe mosdaljes në luftë me të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).

-201-


  1. Ata do të justifikohen para jush kur të ktheheni (nga lufta) tek ata.[1] Thuaju: “Mos u justifikoni! Ne nuk do ju besojmë.[2] Allahu na njoftoi për fjalët tuaja.[3] Allahu do i shohë veprat tuaja, dhe i Dërguari i Tij gjithashtu;[4] pastaj do të ktheheni tek Njohësi i së fshehtës dhe të dukshmes,[5] dhe Ai do t’ju njoftojë për ato që keni bërë.”[6]
  2. Ata do t’ju betohen për Allahun kur të ktheheni (nga lufta) tek ata, në mënyrë që t’i lini (të mos i qortoni). Largohuni prej tyre![7] Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi, si shpërblim për atë që fitonin.[8]
  3. Ata ju betohen, në mënyrë që ju të kënaqeni ndaj tyre.[9] Por, nëse ju kënaqeni ndaj tyre – me të vërtetë, Allahu nuk kënaqet ndaj popullit të pabindur.[10]
  4. Beduinët janë në nivelin më të lartë të mohimit dhe hipokrizisë dhe më të prirët për të mos njohur kufijtë që Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij.[11] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[12]
  5. Ndër beduinët ka të atillë, që shpenzimin (në rrugë të Allahut) e konsiderojnë gjobë[13] dhe presin që juve t’ju vijnë ditët e këqija.[14] Mbi ta qoftë rradha e fatkeqësisë![15] Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.[16]
  6. Por, nga beduinët ka edhe të atillë që besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit,[17] dhe shpenzimin (në rrugë të Allahut) e konsiderojnë mjet për t’iu afruar Allahut dhe për të merituar bekimet e të Dërguarit.[18] Padyshim, këto janë mjet afrimi tek Allahu për ta;[19] Allahu do t’i pranojë ata në mëshirën e Vet.[20] Me të vërtetë, Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[21]

[1] Hipokritët, të cilët qëndruan pas dhe nuk shkuan në luftë përkrah të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarëve, do të justifikohen me justifikime të kota dhe të paqena para të Dërguarit dhe besimtarëve kur këta të kthehen nga lufta e Tebukut.

[2] Nuk do i besojmë fjalët tuaja me justifikime e shfajësime të kota dhe të pavërteta.

[3] Allahu na njoftoi se ju gënjeni dhe se justifikimet tuaja janë të kota, kështu që nuk do ju besojmë, sepse ju nuk mund të jeni assesi të sinqertë në fjalët tuaja, kurse njoftimi i Allahut është në shkallën më të lartë të vërtetësisë dhe i padiskutueshëm.

[4] Allahu do të shohë më pas, dhe po ashtu i Dërguari i Tij, nëse ju do të pendoheni dhe do të ktheheni nga hipokrizia dhe mohimi juaj, apo do të vazhdoni në të.

[5] Pas vdekjes suaj, do të ktheheni tek Allahu, Njohësi i asaj që fshihni në gjokse dhe asaj që shfaqni, dhe Ai do ju japë shpërblimin apo ndëshkimin që meritoni.

[6] Do jua tregojë hapur të gjitha veprat tuaja të mira dhe të këqija, dhe do e shpërblejë secilin sipas veprave që ka bërë.

[7] Dhe mos i qortoni, por i lini në atë që kanë zgjedhur vetë për veten e tyre prej mosbesimit dhe hipokrizisë.

[8] Hipokritët janë të ndyrë dhe të papastër shpirtërisht dhe fizikisht gjithashtu, por qëllimi është shpirtërisht, nga ana e besimit dhe ndërgjegjes, kështu që vendi i tyre ku do të përfundojnë dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë është zjarri i Xhehenemit; si ndëshkim për atë që zgjodhën dhe vepruan vetë ata.

[9] Hipokritët ju betohen rrejshëm që t’ju kënaqin, prandaj assesi mos u kënaqni ndaj tyre, o besimtarë!

[10] Nëse ju, o besimtarë, kënaqeni ndaj hipokritëve dhe i pranoni justifikimet dhe betimet e tyre të rrejshme, për shkak se nuk e dini nëse janë të sinqertë apo jo, atëherë ta dini se kënaqja juaj ndaj tyre nuk do u bëjë asnjë dobi atyre tek Allahu, i Cili e di çfarë fshehin ata dhe që ju nuk e dini, kështu që Allahu nuk kënaqet ndaj hipokritëve, sepse ata janë një popull i pabindur ndaj Allahut, të dalë nga besimi dhe feja e Allahut dhe nga bindja ndaj Allahut.

[11] Beduinët, njerëzit që nuk kanë një vendbanim të qëndrueshëm dhe njerëzit e pacivilizuar janë zakonisht mohues dhe hipokritë më të mëdhenj se njerëzit e civilizuar që jetojnë në qytete dhe fshatra të qëndrushme, sepse ata i kanë zemrat e ngurta dhe rrallë shohin njerëz të mirë, që veprojnë punë të mira dhe bamirësi, dhe si rezultat e i jetesës së tyre larg zonave të banuara dhe të civilizuara, ata janë gjithashtu më të paditur për ligjet e Allahut dhe shpalljet e Tij.

[12] Allahu e di se kush i njeh kufijtë e Tij dhe ato që i ka shpallur të Dërguarit të Tij, dhe i njeh hipokritët dhe mohuesit prej njerëzve që ka krijuar, pa i shpëtuar asgjë; dhe është i Urtë në vendosjen e çdo gjëje në vendin që i takon.

[13] Nëse japin diçka nga pasuria e tyre për luftën në rrugë të Allahut, apo për të ndihmuar ndonjë musliman, apo çdo lloj lëmoshe për të cilën nxit Islami, beduinët e konsiderojnë si një gjobë të detyrueshme nga e cila nuk shpresojnë ndonjë shpërblim apo largim të ndonjë ndëshkimi.

[14] Presin që ditët dhe netët të rrotullohen dhe t’u sjellin fatkeqësi besimtarëve dhe humbje përballë armiqve të tyre idhujtarë e mohues.

[15] Dhe jo mbi ju, o besimtarë.

[16] Allahu dëgjon gjithçka, dhe i dëgjon lutjet e atyre që i luten; dhe Ai di gjithçka, dhe e di çfarë fatkeqësie do i vijë beduinëve mohues dhe çfarë dënimi i rëndë i pret për shkak të mosbesimit dhe hipokrizisë së tyre.

[17] Besojnë Allahun dhe adhurojnë vetëm Atë, dhe besojnë ditën e Kiametit dhe të ringjalljes në botën tjetër, xhenetin dhe xhehenemin.

[18] Shpenzimet që ata i bëjnë për luftën në Rrugë të Allahut dhe në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit, i konsiderojnë mjet afrimi tek Allahu, për të kënaqur Allahun dhe për të arritur pëlqimin e Tij; si dhe për të merituar lutjen e të Dërguarit të Allahut dhe kërkimin e faljes për ta; pra që i Dërguari t’i lutet Allahut për ta, dhe t’i kërkojë Allahut që t’i falë dhe t’i begatojë ata.

[19] Bekimet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) ndaj tyre janë mjet afrimi tek Allahu për ta; Ose: Shpenzimet që ata bëjnë në rrugë të Allahut janë mjet afrimi tek Allahu për ta; Ose të gjitha këto së bashku janë mjet afrimi tek Allahu për ta.

[20] Dhë nëse Allahu të pranon në mëshirën e Tij, do të fusë në xhenet me mëshirën e Tij.

[21] Allahu do ia falë të gjitha gjynahet atyre beduinëve që besuan dhe i kërkuan falje Atij, si dhe të gjithë atyre besimtarëve që i përfshin në mëshirën e Tij; dhe Allahu është Mëshirëplotë me robërit e Tij besimtarë.

-202-


  1. Sa u përket besimtarëve të parë, prej emigruesve dhe ndihmuesve,[1] si dhe atyre që i pasuan ata me të mirë[2] – Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të;[3] dhe Ai ka përgatitur për ta kopshte nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të jetojnë përgjithmonë.[4] Kjo është fitorja madhështore![5]
  2. Disa nga beduinët që ju rrethojnë janë hipokritë, madje edhe disa nga banorët e Medinës.[6] Ata u mësuan me hipokrizinë.[7] Ti nuk i njeh, por ne i njohim ata.[8] Ne do t’i dënojmë ata dy herë,[9] pastaj do të kthehen në një dënim të madh.[10]
  3. Ka edhe të tjerë që i pranuan gjynahet e tyre; që kanë përzier vepra të mira me të tjera të këqija.[11] Gjasat janë që Allahu t’ua pranojë pendimin atyre.[12] Vërtet, Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[13]
  4. Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh dhe t’i ngresh ata;[14] dhe lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet siguri për ta.[15] Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.[16]
  5. A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin nga robërit e Vet dhe që i merr lëmoshat,[17] dhe se Allahu është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti?[18]
  6. Thuaj: “Punoni, se Allahu do e shohë punën tuaj, dhe po ashtu i Dërguari i Tij dhe besimtarët.[19] Më pas do të ktheheni tek Njohësi i së fshehtës dhe të dukshmes, dhe Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”[20]
  7. Ka edhe të tjerë që janë lënë në pritje të urdhrit të Allahut – nëse do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin.[21] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[22]

[1] Ata që hynë të parët në Islam, prej emigruesve mekas (muhaxhir) dhe ndihmuesve medinas (ensar).

[2] Ata që ndoqën rrugën e të parëve në besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe në emigrimin nga vendi i mohimit në vendin Islam, në kërkim të kënaqësisë së Allahut.

[3] Allahu është i kënaqur me të gjithë ata, sepse ata iu bindën Allahut dhe iu përgjigjën të Dërguarit të Tij duke zbatuar urdhrat e tij dhe duke iu larguar ndalesave të tij; dhe kënaqja e Allahut ndaj tyre do i fusë ata në xhenet ku do të arrijnë fitoren më të madhe, nga e cila padyshim se edhe ata do të kënaqen me Allahun dhe shpërblimin e Tij bujar ndaj tyre.

[4] Përjetësisht, pambarim; nga ku nuk do të dalin kurrë.

[5] Kjo është fitorja më e madhe që mund të arrijë njeriu.

[6] Disa nga beduinët që banojnë rreth qytetit tuaj, Medines, janë hipokritë, madje edhe disa nga banorët e qytetit tuaj janë hipokritë gjithashtu.

[7] Vazhduan me këmbëngulje dhe kryeneçësi në hipokrizi, dhe u mësuan me të, në vend që të pendoheshin ashtu si ata që u penduan dhe u kthyen në rrugën e drejtë.

[8] Ti, o Muhamed, nuk i njeh këta hipokritë që ju rrethojnë dhe që i keni brenda në qytetin tuaj, por Ne i njohim mirë ata, dhe ata nuk mund të na shpëtojnë.

[9] Ne do t’i dënojmë hipokritët dy herë: herën e parë në jetën e kësaj bote, dhe të dytën kur të jenë në varr; dhe këto janë para se të marrin dënimin e përhershëm në zjarrin e Xhehenemit.

[10] Pas dënimit të tyre dy herë, në dynja dhe në varr, hipokritët do të kthehen në dënimin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[11] Ka disa të tjerë nga banorët e Medines dhe të zonave përreth, që i pranuan gjynahet e tyre dhe u penduan, por që kishin përzier mes pendimit dhe veprës së keqe të mos-daljes me të dërguarin e Allahut në luftën e Tebukut. Pra, këta ishin besimtarë dhe jo hipokritë, por kishin bërë mëkat me mos-përgjigjen ndaj thirrjes së të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) për luftë.

[12] Allahu do ua pranojë pendimin atyre dhe do i falë ata, sepse çdo “gjasë” që përmendet në Kuran në lidhje me veprën e Allahut, tregon siguri në përmbushjen e saj nga Allahu; sepse Allahu është Falës i Madh dhei mbulon të këqiat e atyre që kërkojnë falje dhe i kthehen Atij me pendim, dhe nga mëshira e Tij, nuk e ndëshkon atë për veprat e këqia që ia ka falur dhe mbuluar.

[13] Pa faljen dhe mëshirën e Allahut nuk do të qëndronte dhe nuk do të vazhdonte të ekzistonte as bota e simpërme dhe as ajo e poshtme; dhe sikur Allahu t’i ndëshkonte njerëzit menjëherë për padrejtësitë dhe mëkatet që ata bëjnë, nuk do të kishte lënë asnjë këmbë njeriu mbi Tokë.

[14] O Muhamed, merr lëmoshë nga pasuria e atyre që i pranuan mëkatet e tyre dhe u penduan për to, me qëllim që t’i pastrosh ata nga njollat e mëkateve dhe t’i ngresh nga ultësira e hipokritëve në gradat e të sinqertëve.

[15] Lut Allahun që t’i falë ata, në kohën kur ata të japin lëmoshën, sepse lutja jote është siguri dhe qetësi për ta se Allahu i ka falur dhe e ka pranuar pendimin e tyre.

[16] Allahu e dëgjon lutjen tënde për ta, dhe lutjen e të gjithë atyre që i luten Atij, dhe i përgjigjet të gjitha lutjeve; dhe Allahu i di të gjitha gjendjet e robërve të Tij dhe qëllimet e tyre, kështu që do e shpërblejë secilin sipas asaj që vepron dhe që ka pasur qëllim.

[17] Allahu është Ai që e pranon pendimin e robërve të Vet dhe Ai që i pranon lëmoshat e tyre, dhe jo Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) apo dikush tjetër, por vetëm Allahu. Dhe Allahu e shton dhe e shumëfishon shpërblimin e lëmoshave që jepen me sinqeritet për Hir të Tij. Shkak për zbritjen e këtij ajeti ishin ata që nuk shkuan në luftën e Tebukut bashkë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe u penduan e donin të jepnin lëmoshë, madje disa lidhën veten e tyre me litarë në trungjet e palmave, në shenjë proteste deri sa të shkonte Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) që t’i lironte nga litarët dhe t’u pranonte lëmoshat; por Allahu iu tha atyre se Ai që e pranon pendimin dhe lëmoshat e tyre është Allahu dhe jo Muhamedi, kështu që Allahut duhet t’ia kërkojnë këto me sinqeritet.

[18] A nuk e dinë ata – mëkatarët që nuk shkuan në luftën e Tebukut dhe që u penduan – se Allahu është Pendues i Madh dhe Mëshirëplotë, nëse ata kthehen tek Ai me pendim? Pra, t’i kërkojnë falje Allahut dhe të kthehen tek Ai me pendim, në mënyrë që t’i falë e t’i mëshirojë.

[19] Thuaju, o Muhamed, atyre që i pranuan mëkatet e tyre dhe u penduan për to, të cilët nuk erdhën në luftë me ty dhe besimtarët: “Punoni vepra të mira në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij që tani e tutje, sepse jeni në provë, dhe Allahu do i shohë veprat tuaja, dhe po ashtu i Dërguari  dhe besimtarët do ju shohin dhe do të jenë dëshmitarë për ju ose kundër jush.”

[20] Do ju njoftojë nëse keni qenë të sinqertë në pendimin dhe veprat tuaja apo jo, dhe pastaj do ju shpërblejë sipas veprës dhe qëllimit tuaj.

[21] Kishte disa nga mesi i atyre që nuk shkuan në luftën e Tebukut me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët, të cilët u penduan për mëkatin e tyre, dhe nuk shkuan të justifikohen me justifikime të pavërteta tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), ashtu si bënë hipokritët, por as nuk e lidhën veten e tyre pas trungjeve të palmave në shenjë proteste që i Dërguari t’u pranonte lëmoshat. Allahu e shtyu çështjen e tyre për të provuar sinqeritetin e tyre, pastaj ia pranoi pendimin dhe i fali ata – siç do të vijë në ajetin 118.

[22] Allahu e di mirë çështjen dhe sinqeritetin e tyre, dhe të të gjitha krijesave të Tij; dhe Ai vepron me Urtësinë e Tij absolute duke e vendosur çdo gjë në vendin e vet dhe duke falur dhe pranuar pendimet e atyre që dëshiron, sipas Urtësisë së Tij.

– 203 –

  1. (Prej hipokritëve janë) Edhe ata[1] që ndërtuan një xhami për të dëmtuar,[2] për të mohuar,[3] për të futur përçarje në mesin e besimtarëve[4] dhe si parapërgatitje për pritjen e atyre që kishin luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij më parë.[5] Ata me siguri do të betohen: “Ne kishim për qëllim vetëm të mirën!”[6] Por Allahu dëshmon se vërtet ata janë gënjeshtarë.[7]
  2. Mos u fal kurrë në të![8] Një xhami e themeluar me devocion që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për t’u falur në të.[9] Aty ka njerëz që duan të pastrohen; dhe Allahu i do ata që pastrohen.[10]
  3. Cili është më i mirë, ai që themelet e ndërtesës së vet i ka vënë me devecion ndaj Allahut dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij[11] apo ai që themelet e ndërtesës së tij i ka vënë në buzë të një bregu që gërryhet dhe që do të shembet me të në zjarrin e Xhehenemit?![12] Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin e padrejtë.[13]
  4. Ndërtesa që ata ndërtuan do të vazhdojë të mbjellë skepticizëm në zemrat e tyre, derisa zemrat e tyre t’u copëtohen.[14] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[15]
  5. Me të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten.[16] Një premtim i vërtetë i Tij në Teurat, Ungjill dhe Kuran.[17] E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Prandaj, gëzojuni tregtisë që keni bërë![18] Kjo është fitorja madhështore.

[1] Bëhet fjalë për 12 hipokritë, të cilët banonin në lagjen pranë xhamisë Kuba, në Medine, dhe të cilët morën urdhër nga shoku dhe i afërmi i tyre Ebu Amir er Rahib – i arratisur te romakët në atë kohë – për të ndërtuar një xhami rivale të xhamisë Kuba, me qëllim të përçarjes dhe dëmtimit të besimtarëve, dhe për të qenë strehë për të kur të vinte bashkë me ushtrinë romake për të luftuar të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët.

[2] Për të dëmtuar xhaminë Kuba, në Medine, ku besimtarët e asaj zone mblidheshin për të kryer faljet.

[3] Për të mohuar Allahun, duke dëmtuar dhe luftuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët; sepse dëmtimi dhe luftimi i të Dërguarit të Allahut është mohim i Allahut.

[4] Për të përçarë dhe ndarë besimtarët, duke bërë që disa prej tyre të falen në xhaminë e sherrit që ndërtuan këta hipokritë, dhe të mos shkojnë në xhaminë e Kuba-s.

[5] Për t’ia bërë gati si bazë atyre mohuesve që kanë luftuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij që më parë; Është për qëllim Ebu Amir er Rahib, nga Medina, i cili u bë i krishter dhe prift në kohën e injorancës para ardhjes së Islamit. Ky i bashkoi ushtritë e idhujtarëve dhe mohuesve për të luftuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) në luftën e Hunejnit, por kur Allahu e poshtëroi atë, ai u arratis te Romakët Levantit për t’i kërkuar ndihmë kundër të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), por ata nuk ia vunë veshin. Atëherë ai vendosi të shkojë direkt te Kajsari në Romë që ta ndihmonte kundër Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe ndërkohë i shkroi këtyre hipokritëve në lagjen pranë xhamisë Kuba në Medine, ku i urdhëronte të ndërtonin xhaminë e sherrit, për të futur përçarje në mesin e besimtarëve, që kur të vinte ai të falej në atë xhami dhe ta kishin të lehtë thyerjen e besimtarëve. Por, vdiq i dëbuar, i vetëm dhe në vend të huaj gjatë rrugës për në Romë, siç bëri lutje kundër vetes që në fillim kur i Dërguri i Allahut (salallahu alejhi ue selem) emigroi në Medine, dhe ky Ebu Amiri, që ishte bërë prift, shkoi tek ai dhe i tha: “Çfarë feje është kjo që ke sjellë?” – Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Kam ardhur me fenë e pastër të Ibrahimit.” – Ebu Amir tha: “Edhe unë në atë fe jam!” – I Dërguari i tha: “Ti nuk je në këtë fe!” – Ebu Amiri i tha: “Në atë fe jam, por ti ke futur në fenë e pastër gjëra që nuk janë prej saj.” – I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Nuk e kam bërë këtë që thua, por kam ardhur me fenë e pastër dhe të kulluar!” – Ebu Amiri tha: “Allahu e marrtë jetën e gënjeshtarit nga ne të dy duke qenë i dëbuar, i vetëm dhe në vend të huaj!” – I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Amin!” – dhe e quajti “Ebu Amir el Fasik – i pabindur dhe i pafe”.

[6] Qëllimi ynë me ndërtimin e kësaj xhamie ishte të bënim një vepër të mirë, për të mirën e muslimanëve, që t’ua lehtësojmë atyre që janë të dobët dhe të sëmurë nga njerëzit e zonës, të falen në këtë xhami dhe të mos mundohen e të shkojnë në xhaminë e të Dërguarit të Allahut në Medine. A nuk është ndërtimi i xhamisë vepër e mirë?! Kështu veprojnë dhe thonë zakonisht hipokritët duke shkaktuar dëmtim të tërthortë ndaj besimtarëve, duke bërë bidate (risi në fe) dhe duke futur përçarje në mesin e besimtarëve; duke thënë se vepra që po bëjnë është e mirë në fe, ndërkohë që janë gënjeshtarë dhe nuk kanë për qëllim veçse ligësinë dhe syefaqësinë.

[7] Janë gënjeshtar në betimin e tyre, sepse qëllimi i tyre nuk ishte të bënin mirë me ndërtimin e asaj xhamie, por qëllimi ishte që të dëmtonin xhaminë e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), të mohonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të fusnin përçarje në mesin e besimtarëve dhe si përgatitje për pritjen e Ebu Amir el Fasik.

[8] Mos u fal kurrë, o Muhamed, në xhaminë e sherrit që ndërtuan hipokritët! – Dhe i Dërguari i Allahut kurrë nuk u fal në atë xhami, madje urdhëroi që ajo të prishej dhe të digjej.

[9] Xhamia e Kuba-s në një lagje të Medines dhe pranë xhamisë së sherrit që ndërtuan hipokritët, është më e denjë për t’u falur në të, sepse ajo është themeluar me devocion ndaj Allahut dhe me qëllim për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij, ndryshe nga xhamia e sherrit që u themelua me hipokrizi dhe mohim të Allahut, me qëllim të intrigës dhe dëmtimit të muslimanëve.

[10] Duan të pastrohen nga ndotësia dhe nga gjynahet gjithashtu; Kur zbriti ky ajet që i lavdëronte besimtarët e zonës që faleshin në xhaminë Kuba, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i pyeti ata se përse Allahu i ka lavdëruar pikërisht me cilësinë e pastrimit dhe pastërtisë, kurse ata i treguan se pastroheshin me ujë pas jashtëqitjes, atëherë ai i lavdëroi ata për veprën e tyre. Këta ishin të parët që përdornin ujin për pastrim, dhe që kur u lavdëruan nga Allahu për këtë cilësi, të gjithë besitmarët filluan të përdorin ujin për pastrim pas përdorimit të gurëve apo dheut.

[11] D.m.th. besimtarët e xhamisë së Kuba-s, të cilët e ndërtuan xhaminë e tyre me devecion ndaj Allahut, me pëlqimin e Tij dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij.

[12] D.m.th. hipokritët që ndërtuan xhaminë e sherrit pranë xhamisë Kuba, me qëllim që të dëmtonin besimtarët, të fusnin përçarje mes tyre dhe të prisnin në të armikun e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ebu Amir el Fasik. Padyshim se ndërtesa e këtyre do të shembet dhe do të digjet nga besimtarët në këtë botë, dhe ata që e ndërtuan atë do të digjen gjithashtu në zjarrin e xhehenemit.

[13] Siç ishin këta hipokritë që jo vetëm mohonin Allahun dhe thyenin urdhrat e shkelnin ndalesat e Tij, por thurnin intriga për besimtarët me qëllim që t’i dëmtonin dhe t’i përçanin ata.

[14] Xhamia e sherrit që ndërtuan ata hipokritë, do të vazhdojë të mbjellë dyshim në zemrat e tyre, duke menduar se ata kishin vepruar mirë me ndërtimin e saj, deri sa t’ju plasin zemrat dhe të vdesin.

[15] Allahu e di mirë gjendjen e këtyre hipokritëve që dyshojnë në fenë e Allahut dhe se çfarë kishin për qëllim me ndërtimin e asaj xhamie, apo se ku do të përfundojnë në botën tjetër; si dhe i di mirë të gjitha çështjet e tyre dhe të gjithë krijesave të Tij; dhe Ai është i Urtë në rregullimin dhe vendosjen e çdo gjëje në vendin që i takon.

[16] Luftojnë në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tyre për të ngritur fenë e Allahut, dhe ky është këmbimi që japin për të blerë xhenetin.

[17] Allahu ua ka premtuar besimtarëve xhenetin që e blejnë atë me jetën dhe pasurinë e tyre, dhe këtë premtim e ka dhënë në Librat e shpallur nga Ai: Teurat, Inxhil dhe Kuran; dhe ky është një premtim i vërtetë dhe i pakthyeshëm, sepse Allahu kurrë nuk e thyen premtimin dhe madje askush nuk e mban premtimin ashtu si Allahu, Zoti ynë i Lartësuar.

[18] Gëzojuni kësaj tregtie dhe kësaj marrëveshje që keni me Allahun, o besimtarë, sepse kjo është fitorja më e madhe që mund të arrihet.

– 204 –

  1. Ata janë[1] të penduarit,[2] adhuruesit (e Allahut),[3] falënderuesit (e Allahut),[4] agjëruesit,[5] ata që përkulen dhe bëjnë shumë sexhde,[6] që urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja,[7] dhe që i respektojnë kufijtë e Allahut.[8] Pra, përgëzoji besimtarët![9]
  2. Nuk është me vend që i Dërguari dhe besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Zjarrit.[10]
  3. Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi që i kishte bërë atij.[11] Por, kur iu bë e qartë se ai (i ati) ishte armik i Allahut, ai hoqi dorë prej tij.[12] Vërtet, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.[13]
  4. Allahu kurrë nuk do ta linte në humbje një popull pasi e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, pa ia bërë të qartë se çfarë duhet t’i ruhet.[14] Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[15]
  5. Vërtet, Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës;[16] Ai e jep jetën dhe vdekjen.[17] Përveç Allahut, ju nuk keni asnjë mbrojtës apo përkrahës.[18]
  6. Sigurisht që Allahu e fali të Dërguarin dhe emigruesit (muhaxhirëve) e ndihmuesit (ensarëve), të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë,[19] pasi zemrat e një grupi prej tyre gati sa nuk devijuan, pastaj i fali ata.[20] Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.[21]

[1] Besimtarët që kanë marrëveshje me Allahun për të blerë xhenetin me jetën dhe pasurinë e tyre janë të penduarit, adhuruesit…

[2] Ata që pendohen vazhdimisht dhe në çdo kohë nga çdo e keqe apo gjynah.

[3] Ata që janë cilësuar si adhurues për shkak të adhurimit të shumtë dhe të vazhdueshëm ndaj Allahut; që kryejnë të gjitha adhurimet e detyrueshme dhe vullnetare vazhdimisht, çdo ditë dhe në çdo kohë.

[4] Ata që e falënderojnë Allahun në çdo gjendje, në të mirë dhe në të keq; që shprehin mirënjohje ndaj Allahut gjatë natës dhe ditës për mirësitë e mëdha që Ai u ka dhënë, qofshin mirësi të dukshme apo të dukshme.

[5] Ata që agjërojnë vazhdimisht; Thuhet gjithashtu se janë për qëllim ata që udhëtojnë për kryerjen e adhurimeve të tilla si Haxhi, Umra, xhihadi, kërkimi i dijes, vizita e të afërmve, etj.

[6] Ata që falin shumë namaz, i cili përfshin përkuljen (ruku) dhe sexhden (vendosjen e ballit në tokë).

[7] Urdhërojnë për të vërtetën dhe për vepra të mira, të detyrueshme dhe vullnetare, dhe ndalojnë nga e keqa që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguri i Tij (salallahu alejhi ue selem).

[8] Që i përmbahen ligjeve të Allahut duke zbatuar urdhrat dhe detyrimet e vendosura nga Allahu dhe duke iu larguar ndalesave të Tij; Nuk humbin asnjë punë që Allahu e ka urdhëruar dhe nuk bëjnë asnjë vepër që Ai e ka ndaluar.

[9] Përgëzoji besimtarët që kanë këto cilësi, se ata do të arrijnë atë që u ka premtuar Allahu; xhenetin dhe pëlqimin e Tij; secili në gradën që ka arritur me veprat e veta në dynja.

[10] Nuk është e përshtatshme dhe nuk lejohet që i Dërguari i Allahut dhe besimtarët t’i kërkojnë falje Allahut për idhujtarët pas vdekjes së tyre, qofshin ata edhe të afërm apo prindër të tyre, përderisa vdesin duke qenë idhujtarë që i bëjnë Allahut shok në adhurim dhe mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe tashmë është bërë e qartë se Allahu nuk i fal ata që i bëjnë shok Atij në adhurim, kështu që nuk nuk duhet të lutesh që Allahu t’i falë ata, kur dihet se Allahu nuk i fal ata. Kur Ebu Talibi, xhaxhai i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe mbrojtësi i tij gjatë gjithë kohës nga idhujtarët e Mekes, ishte në shtrirë në shtratin e vdekjes, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri tek ai, ndërkohë që tek ai ishte Ebu Xhehli dhe Abdullah ibën Ebi Umeje, dhe i tha xhaxhait: “O Xhaxha! Thuaj “La ilahe il-la Allah”, që të mund të ndërmjetësoj për ty tek Allahu!” Kurse Ebu Xhehli dhe Abdullah ibën Ebi Umeje i thanë: “O Ebu Talib! A do ta lësh fenë e babait tënd Abdul-Muttalib?” – Dhe vazhduan t’i flisnin deri sa fjala e fundit që ai tha ishte: “Jam në fenë e Abdul-Muttalib. Atëherë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Unë do t’i kërkoj falje Allahut për ty, deri sa kjo gjë të më ndalohet.” Në atë çast të Dërguarit iu shpall ky ajet. Po kështu ka ardhur hadith që i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i kërkoi Allahut që të kërkojë falje për nënën e tij të vdekur duke qenë idhujtare, por Allahu ia ndaloi atij këtë gjë, dhe ai qau shumë gjatë atë ditë nga mëshira për nënën e tij që do të digjej në Zjarr!

[11] Ibrahimi (alejhis selam) i premtoi babait të tij kur iku nga ai, se do t’i kërkonte falje Allahut për të, por kjo ishte para se ai ta mësonte përfundimin e babait të tij dhe se ai do vdiste duke qenë idhujtar dhe se do të ishte prej banorëve të Zjarrit.

[12] Kur Ibrahimit (alejhis selam) iu bë e qartë se babai i tij ishte armik i Allahut dhe se do të vdiste duke qenë mohues dhe idhujtar, megjithë këshillat dhe përpjekjet e vazhdueshme të Ibrahimit që ai të pendohej dhe të kthehej në besimin e vërtetë, atëherë ai u tërhoq totalisht prej tij, u largua prej tij, e la atë dhe e la kërkimin e faljes për të, duke iu bindur Allahut dhe duke i dhënë Atij përparësi mbi çdo gjë tjetër.

[13] Ibrahimi (alejhis selam) ishte shumë i dhembshur dhe i butë e i mëshirshëm me njerëzit, dhe nga dhembshuria dhe butësia që kishte në zemrën e tij, ai i lutej vazhdimisht Allahut me rënkim, pikëllim dhe dhembshuri, që t’i udhëzonte njerëzit dhe t’i falte ata, e veçanërisht babanë e tij, deri sa mësoi se ai ishte armik i Allahut, atëherë e la lutjen për të. Nga butësia e tij, ai kurrë nuk nxitohej të ndëshkonte ata që e cënonin me diçka nga injoranca apo mosbesimi i tyre; babai i tha atij: “do të të gurëzoj”, kurse ai iu përgjigj: “Paqja qoftë mbi ty; Unë do t’i kërkoj falje Zotit tim për ty.” [Shih ajetet 46-48 të sures Merjem].

[14] Kur Allahu me mirësinë e Vet e udhëzon një popull në rrugën e Drejtë dhe fenë e Vërtetë, Ai e plotëson dhuntinë e Tij ndaj tyre duke u sqaruar gjithçka duhet të dinë prej ligjeve dhe kufijve të Tij, dhe nuk i lë në humbje dhe në injorancë ndaj çështjeve të fesë apo të dynjasë, dhe si pasojë, nuk i dënon ata për një vepër të caktuar, pa ua bërë të qartë paraprakisht se ajo është e ndaluar. Po kështu, nuk do të dënoheni për kërkimin e faljes për të afërmit tuaj që kanë vdekur idhujtarë, përderisa ende nuk ishit ndaluar nga kjo gjë, por pasi që ju bë e qartë ndalesa, atëherë duhet të mos e bëni, përndryshe do të dënoheni.

[15] Allahu di gjithçka në detaje dhe Ai ju ka mësuar juve nga dija atë që është e dobishme për ju.

[16] Gjithçka që ekziston në qiej e në Tokë është pronë e Allahut dhe Allahu bën me to çfarë të dojë, dhe vepron me dijen dhe urtësinë e Tij Absolute.

[17] Kështu që mos kini frikë nga luftimi i armiqve tuaj mohues, o besimtarë, edhe nëse janë prej fuqive të mëdha si Romakët apo Persët, apo kushdo tjetër, por i luftoni ata në bindje ndaj Meje, sepse Unë ia jap krenarinë dhe fitoren kujt të dua, dhe poshtëroj kë të dua.

[18] Nuk keni asnjë aleat që ju mbron e ju përkrah, përveç Allahut, Zotit tuaj – dhe kush ka Mik e Mbrojtës Allahun, ai nuk duhet të trembet nga asgjë dhe nga askush prej armiqve, sado të fuqishëm apo të shumtë që të jenë.

[19] Allahu ia fali gjanahet, i pranoi pendimin dhe veprat e mira, dhe i ngriti në gradë të larta të Dërguarin e Tij dhe besimtarët prej muhaxhirëve dhe ensarëve, për shkak se ata sakrifikuan me veten e tyre për të bërë punë të vështira dhe të rënda që ua kishte ngarkuar Allahu – duke bërë rrugë të gjatë e të vështirë për në luftën e Tebukut.

[20] Gati sa nuk u përmbysën dhe sa nuk u futën në dyshim për fenë, për shkak të lodhjes së madhe dhe shpresës së vogël për luftën që pritej të bënin kundër një fuqie ushtarake të madhe si ajo romake; por Allahu i forcoi zemrat e tyre dhe i bëri të qëndrueshme në fe, pastaj e pranoi pendimin e tyre dhe i fali ata.

[21] Dhe nga butësia e mëshira e Tij ndaj tyre, u dha sukses që ata të pendohen, dhe ua pranoi pendimin e i fali ata.

– 205 –

  1. I fali edhe ata të tre që mbetën prapa,[1] atëherë kur toka, me gjithë gjerësinë e saj, iu duk e ngushtë[2] dhe iu shtrënguan shpirtrat,[3] aq sa u bindën se nuk ka strehim ku t’i shpëtojnë Allahut përveçse tek Vetë Ai.[4] Pastaj Ai i fali ata, që të pendohen.[5] Me të vërtetë, Allahu është Pranuesi i Pendimit, Mëshirëploti.[6]
  2. O ju që keni besuar![7] Kini frikë Allahun dhe bëhuni me të sinqertët![8]
  3. Nuk ishte me vend për banorët e Medinës dhe ata që ishin rreth tyre prej beduinëve, të mos dilnin (në luftë) me të Dërguarin e Allahut,[9] apo të preferonin vetet e tyre para vetes së tij.[10] Kjo, sepse ata[11] nuk i godet ndonjë etje, lodhje apo uri në rrugën e Allahut; nuk shkelin në ndonjë vend ku i tërbojnë mohuesit[12] dhe nuk i shkaktojnë ndonjë armiku ndonjë dëmtim, veçse atyre iu regjistrohen vepra të mira për të gjitha këto.[13] Me të vërtetë, Allahu nuk ua humbë shpërblimin punëmirëve.[14]
  4. Gjithashtu, nuk shpenzojnë diçka të vogël apo të madhe dhe nuk kalojnë ndonjë luginë (për në luftë), veçse do t’u regjistrohet, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë![15]
  5. Nuk duhet që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh,[16] por prej çdo bashkësie, duhet të shkojë një grup,[17] që të kuptojnë mirë fenë dhe të këshillojnë popullin e vet kur të kthehen tek ata, që jenë të kujdesshëm.[18]

[1] Dhe nuk dolën në luftën e Tebukut me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët. Këta të tre janë “ata të tjerët” që Allahu i përmendi në ajetin 106 të kësaj sure, ku thotë se janë lënë në pritje të urdhrit të Allahut, dhe ja, ky ajet është urdhri i Allahut me faljen e tyre. Ata të tre ishin: Keab ibën Malik, Hilal ibën Umeje dhe Merara ibën Rabijah – që të tre nga ensarët medinas.

[2] Nga pikëllimi dhe pendesa që nuk shkuan në xhihad me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).

[3] Ju ngushtuan edhe shpirtrat që mund të notojnë në hapësirat e pafund, për shkak të mërzitjes së madhe dhe gjendjes së rënduar e të vështirë që nuk mund ta përshkruanin në ato 50 netët më të vështira të jetës së tyre, kur ishin lënë në pritje të vendimit të Allahut dhe kur besimtarët ishin urdhëruar që të mos u flisnin dhe të mos u afroheshin atyre treve; një sprovë vërtetë e rëndë për ta, por që do i ngrinte në një vend të lartë tek Allahu për shkak të sinqeritetit dhe besimit që kishte mbushur zemrat e tyre dhe që kurrë nuk u lëkund pavarësisht tundimeve që u bënin mbretërit e romakëve e të persëve, siç është përmendur në detaje në librat e historisë Islame.

[4] U bindën se askush dhe asgjë nuk mund t’i shpëtonte nga vështirësia dhe ngushtimi që kishte zbritur mbi ta nga Allahu për shkak të kundërshtimit të të Dërguarit të Allahut dhe mosdaljen me të në luftë, përveç Vetë Allahut, kështu që shkëputën çdo lidhje me krijesat dhe u lidhën vetëm me Krijuesin e tyre, duke ia mbathur prej Tij tek Vetë Ai, me pendim të siqertë dhe kërkim të faljes për 50 netë rresht.

[5] Allahu i dha sukses atyre treve që të pendohen dhe e pranoi pendimin e tyre, në mënyrë që ata vazhdimisht të ktheheshin tek Allahu me pendim dhe të ishin më të fortë dhe më të qëndrueshëm në bindjen ndaj urdhrave dhe ndalesave të Tij dhe të Dërguarit të Tij, deri në fund të jetës së tyre në këtë botë.

[6] Allahu është Ai që i jep sukses robërve të Tij të pendohen dhe e pranon e pendimin e tyre nga të gjitha mëkatet dhe rrëshqitjet që ndodhin prej tyre dhe për të cilat ata pendohen; dhe Ai është Mëshirëplotë ndaj tyre, në çdo kohë dhe në çdo vend, kështu që nuk i ndëshkon ata pas pendimit dhe nuk e kthen pa pranuar pendimin e askujt që kthehet tek Ai me sinqeritet. Pra, pranimi i pendimit nga Allahu dhe falja e Tij është synimi më i lartë i robërve të Tij të sinqertë dhe të veçantë, të cilën Ai ua jep atyre kur ata kryejnë ato vepra që Ai i do dhe i pëlqen. Ajeti na mëson gjithashtu se shenja e të mirës dhe largimi i vështirësisë, ndodh atëherë kur zemra lidhet fort dhe tërësisht vetëm me Allahun, dhe shkëputet tërësisht nga krijesat.

[7] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).

[8] Kini frikë Allahun, duke ju përmbajtur urdhrave dhe ndalesave të Tij, dhe bëhuni me të sinqertët në fjalët dhe veprat e tyre, si këta të tre, të cilët Allahu i shpëtoi me sinqeritetin e tyre.

[9] Të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe të mos shkonin në luftën e Tebukut bashkë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).

[10] Apo t’i jepnin përparësi jetës dhe rehatit të tyre (duke qëndruar në shtëpi) para jetës dhe rehatit të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem); ndërkohë që besimtarët e vërtetë i japin përparësi jetës dhe rehatit të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) mbi jetën dhe rehatin e tyre, dhe ata sakrifikojnë për të me trupin dhe jetën e tyre.

[11] Kjo – mosdalja në luftë me të Dërguarin e Allahut – është pa vend, sepse ata që dalin në luftë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) kanë shpërblim të madh për çdo hap që bëjnë dhe për çdo frymë që marrin…

[12] Ku i tërbojnë mohuesit e atij vendi për shkak të hyrjes dhe çlirimit të vendit të tyre nga mosbesimi dhe idhujtaria.

[13] Për secilën nga këto, Allahu u regjistron atyre shpërblimin e veprave të mira që Allahu i do dhe i pëlqen, madje jua shumëfishon ato.

[14] Madje ua shumëfishon ato me bujarinë dhe mirësinë e Tij.

[15] Nuk shpenzojnë diçka të vogël apo të madhe për luftën në rrugë të Allahut, dhe nuk kalojnë ndonjë luginë kur kanë dalë në luftë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), veçse Allahu do i shpërblejë ata me shpërblim më të mirë se i punëve më të mira që ata i bënin kur ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre.

[16] E të lënë vetëm të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem); apo të lënë vetëm dhe pa mbrojtje të dobtit prej grave, pleqve dhe fëmijëve; apo të lënë punët dhe detyrimet e tjera të familjes, shoqërisë dhe vendit.

[17] Nga çdo fis, fshat apo qytet, një grup duhet të shkojë në luftë dhe të tjerët duhet të qëndrojnë; pra duhet të shkojnë në luftë aq sa janë të nevojshëm dhe të mjaftueshëm.

[18] Që të kuptojnë mirë fenë e Allahut kur të shohin si i ndëshkon Allahu armiqtë e tyre mosbesimtarë në duart e tyre, për shkak të mohimit të tyre, dhe pastaj të këshillojnë popullin e tyre kur të kthehen tek ata, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos thyejnë urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, përndryshe do të ndëshkohen nga Allahu dhe do të përfundojnë si armiqtë e tyre. Ka disa mendime në mesin e dijetarëve të tefsirit në lidhje me kuptimin e ajetit, ku kuptimi më i afërt që e përkrah edhe kuptimi gjuhësor është ky që kemi zgjedhur në tekst. Një kuptim tjetër është se nga çdo bashkësi, një grup duhet të qëndrojë që të mësojë e kuptojë fenë, pastaj, kur të kthehen luftëtarët, t’ua mësojnë edhe atyre fenë dhe t’i këshillojnë, në mënyrë që të jenë të kujdesshëm ndaj ligjeve të Allahut që të mos i shkelin ato nga padija. Gjithësesi, ajeti është i qartë se jo të gjithë duhet të shkojnë në luftë, por disa duhet të shkojnë në luftë, aq sa janë të mjaftueshëm, dhe të tjerë duhet të qëndrojnë; dhe ata që mësojnë diçka gjatë luftës apo gjatë qëndrimit, duhet t’ia mësojë palës tjetër; Nëse i Dërguari i Allahut ka shkuar në luftë, atëherë pala që e shoqëron atë në luftë do të mësojë gjëra të reja nga Kurani që do i shpallet të Dërguarit të Allahut gjatë luftës apo udhëtimit dhe kthimit nga lufta, kështu që këta që e kanë shoqëruar, duhet t’ua mësojnë të tjerëve ato që i mësuan nga i Dërguari i Allahut dhe që i panë me sytë e tyre në luftë. Dhe e kundërta, nëse i Dërguari i Allahut (salallau alejhi ue selem) ka dërguar në luftë një ushtri, por vetë ka qëndruar, atëherë jo të gjithë besimtarët duhet të ikin në luftë, por një grup duhet të qëndrojë me të Dërguarin me qëllim që të mësojnë prej tij Kuranin dhe ato ligje të fesë që do të shpallen gjatë kësaj periudhe, dhe pastaj t’ua mësojnë edhe luftëtarëve kur ata të kthehen nga lufta, që të vihen në dijeni me të rejat që ka shpallur Allahu.

– 206 –


  1. O ju që keni besuar![1] Luftoni kundër mohuesve që keni afër[2] dhe le të gjejnë tek ju ashpërsi.[3] Dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.[4]
  2. Kur shpallet ndonjë sure, disa prej tyre (hipokritëve) thonë: “Kujt prej jush ia shtoi kjo besimin?”[5] Sa për besimtarët, ajo (sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.[6]
  3. Ndërsa atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta (hipokritëve), ajo ua shton edhe më shumë ndyrësinë që kanë, dhe ata do të vdesin duke qenë mohues.[7]
  4. A nuk e shohin ata (hipokritët) se në çdo vit sprovohen një ose dy herë,[8] por megjithatë as nuk pendohen, as nuk marrin mësim?![9]
  5. Dhe kur shpallet shpallet ndonjë sure,[10] ata shikojnë njëri-tjetrin (duke thënë): “A po ju sheh ndokush?”, pastaj largohen.[11] Allahu i largoi zemrat e tyre, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë![12]
  6. Juve ju ka ardhur një i Dërguar nga mesi juaj,[13] të cilin e rëndon vuajtja juaj,[14] ju dëshiron të mirën[15] dhe me besimtarët është i butë e i mëshirshëm.[16]
  7. Por nëse ata kthejnë shpinën,[17] thuaj: “Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Tek Ai jam mbështetur dhe Ai është Zoti i Arshit të Madh![18]

[1] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).

[2] Filloni me mohuesit që keni më afër, pastaj me ata që janë më larg jush. Në atë kohë, më afër besimtarëve ishin romakët që banonin në Levant, prandaj u nisën në luftën e Tebukut që të luftonin kundër tyre. Po kështu, detyra e çdo krahine është që të luftojë mohuesit që ka më pranë, përveç nëse një krahinë e largët i kërkon ndihmë një krahine tjetër, atëherë duhet t’i ndihmojnë, sepse besimtarët janë një dorë e vetme kundër armiqve të tyre jobesimtarë.

[3] Tregoni ashpërsi ndaj tyre dhe mos i mëshironi, deri sa ta merrni ju pushtetin dhe të zbatoni Ligjin e Allahut.

[4] Të jeni të bindur, se kur i luftoni armiqtë tuaj mohues të Allahut, Allahu është me ju kundër tyre, sepse Allahu ndihmon dhe është me ata që janë të devotshëm ndaj Tij; që i ruhen ndalesave të Tij dhe që zbatojnë urdhrat dhe ligjet e Tij.

[5] E thonë në formë tallje, sepse ata nuk besojnë Allahun dhe as se Kurani është shpallje e Allahut tek i Dërguari i Tij.

[6] Ajo sure ua shton edhe më shumë besimin besimtarëve dhe punët e mira që do të bëjnë me leximin dhe zbatimin e saj, sepse ndiejnë përkujdesin e Allahut dhe lidhjen e Tij me ta nëpërmjet shpalljes së sureve të Kuranit, dhe ata gëzohen me zbritjen e çdo sure apo ajeti dhe me besimin dhe bindjen që u ka dhënë Allahu.

[7] Ata që kanë sëmundje dyshimi dhe hipokrizie në zemër; që dyshojnë në fenë e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit, zbritja e kësaj sure ia shton edhe më shumë ndyrësinë e tyre të hipokrizisë që e kishin edhe më parë; dhe ata do të vdesin duke qenë mohues të Allahut dhe provave e ajeteve të Tij, dhe kështu që vendi i tyre do të jetë zjarri i Xhehenemit.

[8] A nuk e shohin hipokritët se Allahu i sprovon ata një apo dy herë në vit me fatkeqësi të ndryshme si uria dhe sëmundjet, apo me urdhra të caktuara nga Allahu për t’i sprovuar ata; me qëllim që të pendohen e të marrin mësim?!

[9] As nuk kthehen nga hipokrizia dhe mohimi i tyre duke u penduar tek Allahu, as nuk marrin mësim nga fatkeqësitë dhe sprovat e Allahut që bien mbi ta.

[10] Që zbulon hipokritët dhe tregon cilësitë e tyre.

[11] Shikojnë njëri-tjetrin duke bërë shenjë të që të largohen fshehurazi, dhe besimtarët të mos i shohin dhe të mos e vënë re largimin e tyre.

[12] Allahu i përmbysi zemrat e tyre dhe i largoi ato nga çdo e mirë dhe nga besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si ndëshkim i drejtpërdrejtë i largimit të tyre kur shpallen ajetet e Allahut, në vend që t’i vinin veshin, t’i besonin dhe t’i zbatonin ato; por ata janë njerëz që nuk kuptojnë dhe nuk i marrin këshillat e Allahut.

[13] I drejtohet arabëve, duke i kujtuar atyre se të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), Allahu e ka zgjedhur nga vetë mesi i tyre, dhe ata e njohin mirë atë, prejardhjen e tij dhe cilësitë e tij.

[14] I dhemb dhe i vjen keq kur ju vuani, dhe ai vuan bashkë me ju.

[15] I do të mirën njerëzve dhe përpiqet me të gjitha mundësitë që t’ua komunikojë atyre të mirën e shpallur nga Zoti i tyre; dëshiron që ata të udhëzohen në rrugën dhe besimin e drejtë, dhe urren që ata t’i godasë ndonjë e keqe, prandaj përpiqet t’i largojë nga të këqiat që janë rezultat i shkeljes së ndalesave të Allahut.

[16] I Dërguari i Allahut, Muhamedi (salalallahu alejhi ue selem) është shumë i dhimbshur me besimtarët dhe më i mëshirshëm me ta se sa vetë prindërit e tyre. Prandaj, i gjithë populli musliman duhet ta paraprijë të Dërguarin e Allahut mbi çdokënd, edhe mbi vetveten e tyre, dhe duhet ta besojnë, pasojnë, madhërojnë, ndihmojnë dhe ta respektojnë atë ashtu si ka urdhëruar Allahu.

[17] Nëse arabët, nga dhe në mesin e të cilëve ti, o Muhamed, je dërguar, si dhe të gjithë njerëzit të cilëve u mbërrin thirrja jote dhe Islami, të kthejnë shpinën dhe largohen duke mos e pranuar atë që të është shpallur ty prej dritës dhe udhëzimit.

[18] Nëse njerëzit të kthejnë shpinën dhe nuk e pranojnë thirrjen tënde, atëherë ti vazhdo rrugën dhe thirrjen tënde, dhe thuaj: “Allahu më mjafton për çdo gjë; nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij. Tek Allahu mbështetem për të arritur të mirat dhe për të shpëtuar nga të këqiat, dhe Ai është Zoti i Arshit të Madh, krijesës më të madhe të Allahut; dhe Ai që ka nën sundim dhe nënshtrim krijesën më të madhe, padyshim që ka nën sundim dhe nënshtrim çdo gjë tjetër më të vogël se Arshi; pra Allahu është Sunduesi dhe Zotëruesi Absolut, mbi të gjithë sunduesit apo mbretërit e tokës, të cilët gjithësesi janë pjesë e pronës dhe sundimit të Tij, dhe mbi ta zbatohen vendimet dhe ligjet e Tij të natyrshme. Padyshim se Ai që mbështetet tek Zoti i Arshit të Madh, Ai do t’i mjaftojë atij.

– 207 –