SURJA “EL A’RAF” – LARTËSITË E MURIT NDARËS

(Surja Nr. 7, Mekase, 206 Ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Elif, Lam, Mim, Sad.[1]
  2. Ky është Libër që të është shpallur ty,[2] prandaj të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në gjoksin tënd prej tij,[3] që nëpërmjet tij të paralajmërosh[4] dhe si këshillë për besimtarët.[5]
  3. Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj,[6] dhe mos ndiqni miq të tjerë,[7] përveç Tij. Sa pak që kujtoni![8]
  4. Sa e sa qytete kemi rrënuar, duke iu ardhur Dënimi Ynë natën ose ditën kur ata pushonin.[9]
  5. Kur iu vinte dënimi, thirrja e tyre e vetme ishte: “Ne kemi qenë vërtet të padrejtë!”[10]
  6. Sigurisht që Ne do t’i pyesim ata, të cilëve u kemi dërguar të dërguar,[11] dhe do t’i pyesim edhe të dërguarit.[12]
  7. Dhe do ua tregojmë atyre gjithçka në detaje,[13] me dije,[14] sepse Ne nuk kemi qenë të papranishëm.[15]
  8. Peshimi në atë ditë do të jetë i drejtë;[16] Ata që u rëndon peshorja[17], do të jenë të shpëtuarit;[18]
  9. Kurse ata që do e kënë të lehtë peshoren,[19] do të humbin veten e tyre,[20] për shkak se ishin të padrejtë me provat Tona.[21]
  10. Ne ju vendosëm në tokë dhe aty ju mundësuam gjithçka ju nevojitet për jetesë. Por, shumë pak falënderoni![22]
  11. Ne ju krijuam,[23] pastaj ju dhamë formë,[24] pastaj u thamë engjëjve:[25] “Përuljuni në sexhde Ademit!”[26] Dhe ata iu përulën menjëherë, përveç Iblisit, i cili nuk ishte nga ata që u përulën.[27]

[1] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

[2] Ky Kuran është Libër që Allahu ta ka shpallyr ty, o Muhamed; një Libër Madhështor, që ka përfshirë gjithçka që i nevojitet njerëzve dhe gjithçka që kërkon Allahu prej adhurimeve, urdhrave dhe ndalesave; në mënyrë të qartë dhe të detajuar.

[3] Të mos kesh shtrëngim, ngushtim, dyshim apo pështjellim.

[4] Të gjithë njerëzimin.

[5] Që të rikujtojnë vazhdimisht rrugën e drejtë dhe veprat e mira që duhet të bëjnë.

[6] Allahu i drejtohet të gjithë njerëzve, që të ndjekin Librin që ka zbritur Zoti i tyre, Kuranin që ia ka shpallur Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[7] Mos ndiqni miq idhujtarë dhe të djallëzuar që ju largojnë nga rruga e Allahut dhe ju urdhërojnë të adhuroni idhujt dhe t’i bëni shok Allahut, sepse ata ju çojnë në humbje dhe shkatërrim.

[8] Sa pak mësim që merrni; sa pak që i pranoni i këshillat; sa pak që ktheheni te e vërteta, se përndryshe nuk do të zgjidhnit atë që ju dëmton mbi atë që ju bën dobi, dhe as mikun tuaj – që në realitet është armiku juaj –  mbi Mikun dhe Mbështetësin e Vërtetë.

[9] Dënimi i Allahut vinte në kohën para agimit, ose në kohën e pushimit të drekës, kur ata ishin të pavëmendshëm dhe kur nuk e prisnin; dhe kur iu vinte dënimi, ata nuk mund ta largonin atë dhe idhujt e tyre nuk mund t’i ndihmonin; prandaj merrni mësim o njerëz që adhuroni të tjerë përveç Allahut dhe që mohoni Allahun dhe Provat e Tij.

[10] E pohonin se i kishin bërë padrejtësi vetvetes me shkeljen e urdhrave dhe ndalesave të Zotit të tyre, kështu që merituan zemërimin dhe dënimin e Tij të rëndë në këtë botë, dhe dënimin edhe më të rëndë dhe të përhershëm që i pret në botën tjetër.

[11] Do të marrim në llogari popujt që iu kemi dërguar të dërguar dhe do t’i pyesim se çfarë bënë me atë që iu sollën të dërguarit prej urdhrave dhe ndalesave të Mia? A i zbatuat ato apo i thyet urdhrat e Mia dhe i kundërshtuat të dërguarit e Mi?

[12] Nëse i komunikuan shpalljet e Allahut në mënyrën më të plotë, dhe se si iu përgjigjën atyre popujt e tyre.

[13] Gjithçka që kanë vepruar në këtë botë, gjithësecilit.

[14] Me dijen e sigurtë dhe absolute të Allahut, i Cili di dhe regjistron gjithçka veprojnë krijesat e Tij.

[15] Për asnjë çast nuk kemi munguar, dhe asgjë nuk mund të na shpëtojë, në të gjithë krijimin Tonë.

[16] Peshimi i veprave që ka bërë secili në këtë botë do të jetë i drejtë, dhe askujt nuk do i bëhët padrejtësia më e vogël.

[17] E veprave të mira.

[18] Nga dënimi, dhe do të fitojnë lumturinë e përhershme.

[19] Anën e veprave të mira të peshores; që nuk i rëndon peshorja me Njësimin e Allahut, besimin në të dërguarit e Tij dhe zbatimin e urdhrave dhe ndalesave të Tij.

[20] I bënë padrejtësi vetvetes duke i humbur shpërblimin e madh të Allahut

[21] Për shkak të mohimit të provave dhe shpalljeve të Allahut dhe mosnënshtrimit para tyre.

[22] Ne e bëmë tokën të përshtatme për jetesën tuaj, o njerëz, dhe ju mundësuam mjetet që ju duhen për jetën që do të kaloni në dynja, dhe të gjitha të mirat nga Zoti juaj, si mirësi dhe provë për ju, por shumë i vogël është falënderimi juaj për mirësitë që ju kam dhënë, sa që adhuroni dhe merrni zota të tjerë përveç Meje.

[23] Me krijimin e origjinës dhe lëndës nga e cila krijuam babanë tuaj, Ademin (alejhis selam).

[24] Formën më të mirë dhe më të bukur, që i dhamë babait tuaj, Ademit (alejhis selam).

[25] Pasi e krijuam Ademin, i dhamë formë dhe shpirt, i thamë engjëjve…

[26] Ky urdhër për përulje para Ademit ishte provë nga Allahu për engjëjt, mes të cilëve në atë kohë ishte edhe Iblisi, megjithëse ky ishte prej xhinëve dhe nuk ishte engjëll, por për shkak të adhurimit të madh që bënte në tokë, Allahu e kishte ngritur në të njëjtin vend me engjëjt, si provë për të, dhe pikërisht urdhëri për t’u përulur para Ademit zbuloi hapur Iblisin para engjëjve.

[27] Nuk iu bind urdhrit të Allahut duke mos iu përulur Ademit, dhe ai nuk ishte prej engjëjve të bindur por prej xhinëve.

-151-


  1. Allahu i tha (Iblisit): “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai; Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”[1]
  2. Allahu i tha: “Zbrit nga aty![2] Ti nuk ke të drejtë të krenohesh në të![3] Dil! Vërtet, ti je prej të poshtëruarve.”[4]
  3. Ai (Iblisi) tha: “Më jep afat deri në ditën kur ata të ringjallen!”[5]
  4. Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afat.”[6]
  5. Ai (Iblisi) tha: “Meqenëse më dëbove nga rruga e drejtë, unë do t’u zë pritë atyre (njerëzve) në rrugën Tënde të drejtë.[7]
  6. Përveç kësaj, do t’u vij atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta,[8] e kështu shumica e tyre nuk do të jenë mirënjohës!”[9]
  7. Allahu i tha (Iblisit): “Dil nga ai (xheneti) i përbuzur, i dëbuar![10] Ata që do të ndjekin ty prej tyre, do ta mbush Xhehenemin me të gjithë ju!”[11]
  8. Ndërsa ti, o Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në Xhenet dhe hani nga të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do të bëheni nga të padrejtët!”[12]
  9. Djalli u fëshfëriti atyre,[13] për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të trupit që i kishin të mbuluara,[14] dhe u tha: “Zoti juaj nuk jua ka ndaluar këtë pemë për gjë tjetër, por vetëm që të mos bëheni dy engjëj ose të mos bëheni të pavdekshëm.”[15]
  10. Dhe iu betua atyre:[16] “Vërtet, Unë jam prej këshilluesve për ju!”[17]
  11. Dhe i mashtroi me dinakëri.[18] Kur e shijuan pemën,[19] atyre të dyve iu zbuluan vendet e turpshme[20] dhe filluan të mbulohen me gjethet e Xhenetit.[21] Në atë çast Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë juve të dyve?[22] Dhe a nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?”[23]

[1] Me mendjemadhësi dhe pëlqim të vetvetes, duke sjellë arsyetim dhe krahasim të paqëndrueshëm dhe të pasaktë; mjafton që ai kundërshtoi urdhrin e Allahut me mendjemadhësi dhe mendjelehtësi, dhe kjo e rrëzoi atë nga vendi i lartë që i kishte dhënë Allahu, në më të ultin e të ultëve.

[2] Nga vendi dhe grada që Iblisi kishte në mesin e engjëjve, ose nga Xheneti, por e para është më afër kuptimit. [Ibën Kethiri].

[3] Duke bërë mendjemadhësi dhe kryeneçësi ndaj urdhrit Tim në atë vend të lartë në mesin e engjëjve, ose në Xhenet.

[4] Si ndëshkim për mendjemadhësinë e tij.

[5] Kur Iblisi shpalli armiqësinë ndaj Allahut dhe ndaj njeriut, i kërkoi Allahut që ta afatizojë dhe ta lërë gjallë deri në ditën e ringjalljes, me qëllim që të mashtronte dhe të merrte me vete në Zjarr sa më shumë të mundej prej njerëzve; dhe përderisa urtësia e Allahut përfshinte provimin e robërve të Tij në këtë botë, për t’u ndarë të sinqertët nga gënjeshtarët dhe ata që i binden Allahut nga ata që nuk i binden Atij, i dha afat Iblisit deri në ditën e Kiametit.

[6] Deri në ditën e caktuar të Kiametit, siç thuhet në suren El Hixhr, Ajeti 38; ditën kur Allahu ka shkruar për të shkatërrimin, vdekjen dhe fundin, bashkë me të gjitha krijesat e tjera të Allahut, ditën kur do t’i fruhet Surit për herë të parë; dhe nuk iu përgjigj kërkesës së Iblisit për t’i dhënë afat deri në ditën e ringjalljes, që është dita kur do i fryhet Surit për herë të dytë dhe kur njerëzit të ringjallen për të dhënë llogari, ditë pas së cilës nuk ka më vdekje. Iblisi kërkoi afat deri në ditën e ringjalljes që të mos vdiste asnjëherë dhe të ishte i pavdekshëm, pra të mos vdiste në ditën e Kiametit, me fryrjen e parë të Surit, sepse po të mos vdiste atëherë, nuk do të vdiste më kurrë. Por atij do t’i vijë fundi dhe do të vdesë njësoj si të gjitha krijesat e tjera, dhe Ai që është i Përjetshëm është vetëm Allahu.

[7] Me qëllim që t’i pengoj nga futja në të.

[8] D.m.th. do i futem njerëzve nga të gjitha anët dhe drejtimet, dhe nga të gjitha rrugët që mund të gjej për të arritur qoftë edhe diçka të vogël nga qëllimi im në humbjen e tyre. Por ai nuk shtoi edhe “nga lartë atyre”, sepse nuk mund t’iu vijë atyre nga lart, pasi që nga lart, njerëzve iu vjen mëshira e Allahut.

[9] Nuk do të jenë mirënjohës të mirësive të Tua ndaj tyre; sepse falënderimi është sjellje e atyre që ndjekin rrugën e drejtë, kurse djalli kërkon t’i pengojë ata nga ajo rrugë. Iblisi e tha këtë fjalë pasi mësoi se njeriu ka dobësi, epshe dhe dëshira, dhe shpesh mund të jetë i pavëmendshëm, kështu që vendosi me të gjithë vullnetin dhe përpjekjen e tij se do t’i zinte pritë për ta larguar nga rruga e drejtë, dhe mendoi se do ia arrinte qëllimit të tij, prandaj e tha këtë fjalë. Kurse Allahu na ka tërhequr vëmendjen këtu, duke na treguar se çfarë synimi ka djalli i mallkuar në këtë botë, me qëllim që të marrim masat dhe të ruhemi prej armikut tonë të betuar; të mësojmë rrugët nga të cilat mund të na vijë, me qëllim që t’ia mbyllim ato rrugë. Këto mësime janë padyshim mirësi e madhe e Allahut ndaj nesh, për të cilat duhet ta falënderojmë Atë.

[10] I poshtëruar dhe i mallkuar, i dëbuar nga mëshira e Allahut dhe nga çdo e mirë.

[11] Me mohuesit dhe ndjekësit e Iblisit prej njerëzve, dhe me vetë Iblisin dhe pasardhësit e tij prej xhinëve. Allahu e mëshiroftë atë njeri që nuk e plotëson hamendjen e Iblisit në veten e tij, dhe e zhgënjen atë, duke mos ndjekur rrugën e tij, por duke kujtuar gjithnjë paralajmërimin e Allahut nga armiku i tij i përbetuar që në fillim të krijimit të Ademit, dhe duke ndjekur rrugën e drejtë të Allahut dhe duke iu bindur vetëm Allahut.

[12] Pasi e zbriti Iblisin në Tokë, Allahu e vendosi Ademin dhe bashkëshorten e tij, Havanë, në Xhenet, dhe i lejoi ata të hanin nga çdo vend të dëshironin dhe nga çdo pemë apo ushqim, me përjashtim të një peme të caktuar, përndryshe do të bëheshin nga të padrejtët: ata që ndjekin rrugën e atyre që i kalojnë kufijtë e Mi, kundërshtojnë urdhrin Tim dhe bëjnë të lejuara ndalesat e Mia.

[13] Iblisi i fëshfëriti Ademit dhe Havasë me frymëzimin apo ngacmimin e tij, duke i çuar në mendje diçka të pavërtetë dhe duke i mashtruar, në mënyrë që të shkelin ndalesën e Zotit të tyre.

[14] Nëse do të hanin nga pema e ndaluar, atyre do i zbuloheshin pjesët e turpshme të trupit, të cilat Allahu ua kishte mbuluar me dritë.

[15] Duke i tunduar që të hanin nga pema, që të bëheshin engjëj, ose të bëheshin të përjetshëm, dhe kështu do ta adhuronin Allahun njësoj si engjëjt e tjerë; duke i mashtruar.

[16] Iu betua në Allahun, për t’i mashtruar.

[17] Unë di më shumë se ju sepse jam krijuar para jush, dhe unë ju këshilloj bazuar në atë që kam mësuar para se ju të krijoheshit, kështu që veproni ashtu si ju këshilloj, se është për të mirën tuaj.

[18] Ia arriti t’i mashtrojë dhe t’i bëjë që të hanë nga pema e ndaluar.

[19] Ademi dhe Havaja; kur shijuan frutat e pemës së ndaluar.

[20] Iu largua drita që i mbulonte vendet e turpshme, për shkak të mëkatit që bënë ndaj Allahut me ngrënien e pemës së ndaluar.

[21] Nga turpi që i zuri kur panë vendet e tyre të turpshme, ndërsa më parë nuk i shihnin se ishin të mbuluara nga drita.

[22] A nuk jua kisha ndaluar ngrënien e frutave të asaj peme?

[23] Kur ai nuk iu përul Ademit në sexhde, nga zilia dhe duke thyer urdhrin e Allahut.

-152-


  1. Ata të dy (Ademi dhe Havaja) thanë: “O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë,[1] e nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit!”[2]
  2. Ai (Allahu) tha: “Zbritni![3] Ju jeni armiq të njëri-tjetrit. Në tokë do të keni vendqëndrim dhe jetesë deri në një kohë të caktuar.[4]
  3. Mbi të (tokë) do të jetoni, në të do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni.”[5]
  4. O bijtë e Ademit! Ne ju kemi zbritur rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si dhe rroba për zbukurim; [6] por, petku i devotshmërisë është më i miri.[7] Këto janë nga provat e Allahut, që ata të kujtojnë.[8]
  5. O bijtë e Ademit! Të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti; ua hoqi petkun për t’u dukur vendet e tyre të turpshme![9] Ai dhe lloji i tij[10] ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata.[11] Ne i kemi bërë djajtë miq të atyre që nuk besojnë.[12]
  6. Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar,[13] thonë: “Kështu i kemi gjetur prindërit tanë të bënin, dhe Allahu na ka urdhëruar kështu.” Thuaj: “Allahu nuk urdhëron për vepra të shëmtuara! A thoni për Allahun diçka që nuk e dini?”
  7. Thuaj: “Zoti im urdhëron për drejtësi;[14] Dhe drejtohuni vetëm nga Ai në çdo përulje (sexhde) e lutjuni Atij me sinqeritet dhe besim të pastër![15] Ashtu si ju ka krijuar fillimisht, do të riktheheni.[16]
  8. Njërin grup Ai e udhëzoi në rrugë të drejtë,[17] kurse grupi tjetër meritoi humbjen.[18] Këta të dytët zgjodhën djajtë për miq në vend të Allahut dhe mendonin se ishin në rrugë të drejtë.[19]

[1] I bëmë keq vetes sonë me mëkatin që bëmë, me thyerjen e urdhrit Tënd dhe me bindjen që bëmë ndaj armikut tonë dhe armikut Tënd, ndërkohë që nuk duhet t’i bindeshim atij për ngrënien nga pema që na kishe ndaluar.

[2] Ademi dhe Havaja e pranuan gabimin që bënë, dhe i kërkuan Allahut që t’i falë dhe t’i mëshirojë; ndryshe nga Iblisi i mallkuar, i cili në vend që t’i kërkonte Allahut falje për thyerjen e urdhrit të Tij në çastin e dobësisë dhe zilisë që i hyri kundrejt Ademit, ai i kërkoi ta afatizojë deri në ditën e Gjykimit, dhe në vend që të lutej për të shpëtuar veten në këtë botë dhe në botën tjetër, zgjodhi që jetën e vet t’ia kushtonte armiqësisë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij; Prandaj, kujdes o njerëz, të mos mashtroheni nga shejtani dhe të mos bëni si ai.

[3] Nga Xheneti dhe qielli në Tokë; që të gjithë ju: Ademi, Havaja dhe Iblisi.

[4] Do të jetoni dhe do të kënaqeni në të brez pas brezi deri në ditën e kiametit.

[5] Prej tokës do ju nxjerrë Zoti juaj kur t’ju ringjallë në ditën e Gjykimit.

[6] Kemi krijuar dhe ju kemi inspiruar të vishni rroba që janë të domosdoshme për të mbuluar vendet e turpshme, si dhe rroba të tjera që janë plotësuese dhe zbukuruese.

[7] Por, qëllimi nga këto rroba është që ju të ndihmoheni me to në adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut, dhe jo thjesht për t’u mbuluar e zbukuruar, sepse bukuria e tyre është e përkohshme dhe nuk tregon bukurinë e vërtetë, e cila është bukurua e zemrës dhe e shpirtit; veprat e mira, turpi, frika ndaj Allahut, morali dhe sjellja e mirë.

[8] Të marrin mësim dhe të ndjekin rrugën e drejtë, e të largohen nga e kota.

[9] O njerëz, të mos ju mashtrojë shejtani dhe tju bëjë që të shfaqni vendet e turpshme të trupit tuaj nga bindja juaj ndaj tij kur ai ju provokon, siç bëri me prindërit tuaj, Ademin dhe Havanë, kur i provokoi dhe i mashtroi, e ata iu bindën atij dhe shkelën ndalesën e Allahut, kështu që për shkak të dinakërisë dhe mashtrimit të tij, ata u nxorën nga xheneti dhe iu hoq petku që Allahu u kishte veshur atyre dyve.

[10] Iblisi dhe të gjithë xhinët bashkë me shejtanët prej tyre.

[11] Ata ju shohin, ndërsa ju nuk i shihni ata në këtë botë.

[12] Mosbesimi është kushti i lidhjes së miqësisë mes njeriut dhe shejtanit.

[13] Kur idhujtarët dhe mohuesit bëjnë një vepër të shëmtuar dhe të turpshme, siç ishte tavafi lakuriq rreth Kabes që bënin idhujtarët para dhe në fillim të Islamit, si dhe çdo lloj vepre tjetër të turpshme dhe të pamoralshme.

[14] Dhe jo për vepra të shëmtuara e padrejtësi.

[15] Përkuluni dhe bëni sexhde vetëm për Allahun dhe për asnjë idhull apo çfarëdo qoftë, dhe lutjen e të gjitha adhurimet tuaja ia drejtoni vetëm Allahut dhe mos i përzieni ato me idhujtari e paganizëm.

[16] Ashtu si ju krijoi Allahu nga asgjëja, po ashtu do ju rikthejë dhe do ju ringjallë në ditën e gjykimit pasi të keni vdekur dhe t’ju ketë zhdukur në këtë botë; dhe do të shpërblejë secilin për atë që ka vepruar.

[17] Duke i dhënë sukses të udhëzohen; duke i lehtësuar shkaqet e udhëzimit dhe duke larguar pengesat e tij.

[18] Për shkak të veprave të tyre të këqia dhe rrugës së humbjes që zgjodhën.

[19] Sepse atyre iu përmbys realiteti kur me injorancën dhe padrejtësinë e tyre zgjodhën për miq djajtë në vend të Allahut, dhe kështu që e merrnin të pavërtetën për të vërtetë dhe të vërtetën për të pavërtetë.

-153-


  1. O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz![1] Hani e pini, por mos e teproni,[2] sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë.[3]
  2. Thuaj: “Kush i ka ndaluar veshjet e bukura të Allahut që i ka nxjerrë për robërit e Tij,[4] si dhe ushqimet e mira?”[5] Thuaj: “Ato janë për besimtarët në këtë botë, por veçanërisht për ta në botën tjetër.[6] Kështu ua shpjegojmë provat njerëzve që dinë.[7]
  3. Thuaj: “Zoti im ka ndaluar vetëm[8] veprat e turpshme, qofshin ato të hapura apo të fshehura,[9] gjynahun,[10] shtypjen pa të drejtë,[11] t’i bëni Allahut shok,[12] gjë për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë prove,[13] dhe të thoni për Allahun diçka që nuk e dini.[14]
  4. Çdo popull ka afatin e vet.[15] Kur iu vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë asnjë çast, dhe as nuk mund ta shpejtojnë.[16]
  5. O bijtë e Ademit! Nëse ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, që ju tregojnë shpalljet e Mia, atëherë për ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira,[17] nuk do të ketë frikë dhe as do të pikëllohen.[18]
  6. Kurse ata që i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona[19] dhe bëjnë mendjemadhësi ndaj tyre,[20] do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[21]
  7. Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut[22] ose që përgënjeshtron provat e Tij?[23] Ata do ta marrin atë që është shkruar për ta,[24] deri sa t’u vijnë të dërguarit Tanë (engjëjt)[25] për t’u marrë shpirtin, dhe t’u thonë: “Ku janë ata që lutnit në vend të Allahut?”[26] Ata do të thonë: “Na braktisën!”[27] Kështu ata dëshmuan kundër vetes, që kanë qenë mohues.[28]

[1] Vishni rrobat më të mira dhe më të bukura që keni, dhe që ju mbulojnë sa më shumë, për çdo namaz dhe në çdo xhami apo vend që të faleni, sepse mbulimi i trupit është zbukurim, kurse zbulimi dhe zhveshja është shëmti; dhe mos bëni ashtu si bënin idhujtarët që silleshin lakuriq rreth Kabes.

[2] Hani e pini nga të mirat e Zotit tuaj që jua ka lejuar, por mos e teproni në përdorimin e hallallit duke kaluar në shpërdorim, mburrje dhe mendjemadhësi, apo duke ngrënë haramin.

[3] Në hallall apo në haram, apo që lejojnë haramin dhe ndalojnë hallallin. I gjithë teprimi është i ndaluar, sepse ai e dëmton njeriun në shumë aspekte, duke filluar nga shëndeti, ekonomia, shoqëria, etj.; e Allahu ia ka ndaluar njerëzve gjithçka që i dëmton ata, duke i drejtuar në më të mirën, si mëshirë për ta.

[4] Veshjet e çdo lloji, pëlhure apo ngjyre, që e mbulojnë dhe zbukurojnë njeriun.

[5] Ushqimet e mira dhe të shijshme, që i bëjnë mirë njeriut dhe që nuk e dëmtojnë shëndetin e tij, që janë hallall.

[6] Veshjet e bukura dhe ushqimet e mira dhe hallall janë për besimtarët dhe njerëzit e tjerë që nuk janë besimtarë në këtë botë, por në botën tjetër do të jenë posaçërisht për besimtarët.

[7] Sepse vetëm ata i kuptojnë provat e Allahut dhe përfitojnë prej tyre.

[8] Allahu ka ndaluar vetëm këto që do të numërohen në vijim të ajetit, dhe jo ato që idhujtarët i kanë bërë të ndaluara si bindje ndaj shejtanit dhe idhujve të tyre.

[9] Veprat e turpshme janë mëkatet e mëdha që quhen turp, si kurvëria dhe homoseksualiteti; qoftë haptazi apo fshehtazi, në publik apo në vetmi, me vepër dhe trup apo me mendje dhe zemër, si mendjemadhësia dhe hipokrizia.

[10] Shkeljen e ndalesave të Allahut në përgjithësi, për të cilat ka ndëshkim tek Allahu; të drejtat e Allahut ndaj njerëzve.

[11] Shtypjen e njerëzve dhe padrejtësinë ndaj tyre; gjërat që lidhen me gjakun (vrasjen), pasurinë dhe nderin; të drejtat e njerëzve kundrejt njëri-tjetrit.

[12] Të adhuroni të tjerë përveç Allahut ose përkrah Tij.

[13] Por ju ka dhënë prova për Njësimin e Tij.

[14] Të thoni që Allahu ka ndaluar këtë e ka lejuar atë, pa pasur dije dhe provë nga Allahu, por duke trilluar gënjeshtër ndaj Tij, për të ndryshuar fenë dhe ligjet e Tij, dhe për të shkelur të drejtat e njerëzve.

[15] Afatin e zbritjes së ndëshkimit mbi ta për shkak të idhujtarisë dhe mosbindjes nga Allahut dhe ndaj të dërguarve të Tij. Ky është kërcënim dhe paralajmërim për idhujtarët dhe mohuesit.

[16] Nuk kanë fuqi apo mundësi që ta shtyjnë apo ta shpejtojnë afatin e shkatërrimit dhe zhdukjes së tyre nga kjo botë, por ai do të ndodhë në afatin që e ka caktuar Allahu të ndodhë.

[17] Kush i beson të dërguarit dhe ato që Allahu u ka shpallur atyre, dhe si rezultat i ruhet ndalesave të Allahut prej idhujtarisë, mohimit dhe mëkateve, dhe vepron ato që Ai ka urdhëruar si bindje ndaj Tij…

[18] Për ta nuk do të ketë frikë nga ndëshkimi i Allahut në botën tjetër dhe nuk do të pikëllohen për atë që lanë mbrapa prej dynjasë dhe kënaqësive të saj. Nëse eliminohet frika dhe pikëllimi, atëherë arrihet siguria e plotë, qetësia dhe lumturia e përhershme.

[19] Përgënjeshtrojnë shpalljet që ua sqarojnë të dërguarit Tanë dhe mohojnë Njësimin Tim.

[20] Nga mendjemadhësia e tyre nuk i besojnë provat e Allahut dhe të dërguarit e Tij.

[21] Këta do të jenë banorë të zjarrit të Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim, dhe të poshtëruar, si ndëshkim i merituar për shkak të përçmimit dhe mohimit që i bënë shpalljeve të Allahut dhe të dërguarve të Tij.

[22] Duke i bërë shok në adhurim, duke i atribuar diçka të mangët, apo duke trilluar për Të diçka që nuk e ka thënë.

[23] Të qarta dhe të dukshme, që udhëzojnë në rrugën e drejtë.

[24] Ajo që Allahu ka shkruar për ta në librin e ruajtur tek Ai “El Leuhu el Mahfudh”; prej të mirave dhe të këqiave të dynjasë, si të gjithë njerëzve, deri sa t’iu vijë vdekja.

[25] Engjëlli i vdekjes dhe ushtria e tij prej engjëjve të ngarkuar me marrjen e shpirtrave të atyre që i mbaron afati i jetës në këtë botë.

[26] Ku janë ata që adhuronit dhe merrnit miq në vend të Allahut, që të mund t’ju ndihmojnë dhe të largojnë prej jush gjëmën që ju ka zënë?

[27] Na braktisën kur kishim nevojë për ta dhe nuk na ndihmuan apo të na bënin ndonjë dobi përballë ndëshkimit të Allahut.

[28] Mohues të Allahut dhe të Njësimit të Tij, që e meritojnë dënimin poshtërues të përhershëm.

-154-


  1. Ai (Allahu) do t’u thotë: “Hyni në zjarr me popuj të tjerë prej xhinëve dhe njerëzve, që kanë qenë para jush!”[1] Sa herë që një grup do të hyjë në të (zjarr), do të mallkojë grupin e mëparshëm.[2] Deri sa të tubohen të gjithë atje, atëherë të fundit do të thonë për të mëparshmit:[3] “O Zoti ynë! Këta na çuan në humbje, prandaj jepu atyre dënim të dyfishtë zjarri!”[4] Ai (Allahu) do t’u thotë: “Për secilin do të ketë dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini.”[5]
  2. Kurse të parët do t’u thonë të mëpasshmëve:[6] “Ju nuk keni ndonjë avantazh mbi ne,[7] prandaj shijoni dënimin për atë që keni fituar.”[8]
  3. Me të vërtetë, atyre që i përgënjeshtruan provat Tona dhe bënë mendjemadhësi ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit[9] dhe nuk do të hyjnë në Xhenet, derisa të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës.[10] Kështu i shpërblejmë keqbërësit.[11]
  4. Ata do të kenë shtretër nga zjarri dhe sipër tyre mbulesa nga zjarri.[12] Kështu i ndëshkojmë të padrejtët.[13]
  5. Kurse ata që besuan[14] dhe bënë vepra të mira[15] – e Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër mundësive –[16], ata janë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[17]
  6. Ne do ta heqim mërinë nga gjokset e tyre.[18] Nën ta do të rrjedhin lumenj[19] dhe ata do të thonë: “I gjithë lavdërimi i përket Allahut që na udhëzoi në këtë.[20] Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.[21] Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën.”[22] Atëherë një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që e trashëguat për atë që keni vepruar.”[23]

[1] Popuj dhe grupe që kanë qenë para jush idhujtarë dhe mohues të provave dhe të dërguarve të Allahut; secili do t’i bashkohet grupit të fesë dhe besimit të vet që ka ndjekur në dynja.

[2] Do të mallkojë grupin e fesë dhe besimit të vet që do e gjejë të ketë hyrë në zjarr më parë, për të treguar braktisjen e atij grupi, ndërkohë që në dynja e kishte pasuar dhe ishte ithtar i tij; idhujtarët do të mallkojnë idhujtarët, mexhusët do të mallkojnë mexhusët, hebrenjtë do të mallojnë hebrenjtë, të krishterët do të mallkojnë të krishterët, e kështu, ata që do të hyjnë më pas në zjarr, do të mallkojnë ata që do të gjejnë aty prej grupit dhe fesë së tyre.

[3] Ata që kanë qenë më pas në dynja, do të thonë për brezin para tyre, që ata pasonin dhe madhëronin.

[4] Sepse ata ishin shkak për humbjen tonë nga rruga Jote, duke na zbukuruar bindjen ndaj shejtanit dhe duke na ftuar në adhurimin e të tjerëve përveç Teje.

[5] Nuk e dini sasinë apo përmasën e dënimit që Allahu ka përgatitur për të gjithë ju, o banorët e zjarrit!

[6] Atyre që erdhën në dynja pas tyre dhe që ndoqën rrugën e tyre.

[7] Kur e mësuat si na erdhi dënimi i Allahut në dynja për shkak të mosbesimit dhe mosbindjes ndaj Tij, duhet të kishit marrë mësim; po kështu të dërguarit dhe paralajmëruesit e Allahut na erdhën neve ashtu si dhe juve, por ju nuk u kthyet nga humbja dhe rruga juaj e gabuar, ashtu si nuk ishim kthyer as ne më parë, kështu që nuk keni gojë të flisni, sepse duhet të kishit marrë mësim nga përfundimi ynë në dynja dhe jo të ndiqnit rrugën tonë.

[8] Me veprat tuaja të këqia në dynja.

[9] Nuk hapen dyert e qiellit për t’u ngjitur shpirtrat e tyre kur të vdesin, dhe nuk iu ngjitet atyre tek Allahu asnjë vepër gjatë jetës së tyre në dynja, sepse veprat e tyre janë të prishura dhe të këqia, kurse tek Allahu ngjiten vetëm veprat dhe fjalët e mira.

[10] Nuk do të hyjnë kurrë në xhenet, ashtu si nuk mund të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës.

[11] Kështu i shpërblejmë ata që bëjnë keq në këtë botë, duke i dhënë dënimin e merituar në botën tjetër.

[12] Shtretërit dhe mbulesat e tyre do të jenë nga zjarri i xhehenemit.

[13] Që i bënë padrejtësi vetes së tyre me tërheqjen e zemërimit të Allahut, dhe kjo për shkak të mohimit të Allahut dhe përgënjeshtrimit të dërguarve të Tij.

[14] Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe pranuan gjithçka që iu shpalli Allahu dhe iu sqaroi i Dërguari i Tij.

[15] Vepruan sipas asaj që urdhëroi Allahu dhe iu larguan atyre që Ai ndaloi.

[16] Secili sipas mundësisë që ka pasur, mjafton që të ketë dhënë më të mirën, sepse Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive.

[17] Nuk do të dalin kurrë prej tij dhe nuk do t’iu hiqet asnjë prej mirësive të tij.

[18] Do të heqim mërinë, urrjejten e armiqësinë që mund të kenë pasur ndaj njëri-tjetrit në dynja; askush nuk do e ketë zili tjetrin për ndonjë avantazh që i ka dhënë Allahu në xhenet.

[19] Të cilët i drejtojnë dhe i vendosin të rrjedhin ku të duan dhe nga të duan; mes kështjellave, nën dhoma, nëpër kopshte dhe poshtë tyre, pa pasur kufij apo kanale; dhe nga të mirat pakufi, ata do të falënderojnë Allahun.

[20] Që na dha sukses të vepronin ato vepra me të cilat fituam këto mirësi dhe këtë nderim nga Allahu, dhe që na shpëtoi nga ndëshkimi i Tij.

[21] I gjithë udhëzimi është në Dorë të Allahut, dhe Ai udhëzon këtë të dojë dhe lë në humbje kë të dojë.

[22] Kur të hyjnë në Xhenet dhe të shohin mirësitë e papërshkrueshme që Allahu do ju japë, si dhe poshtërimin që do kenë banorët e zjarrit, banorët e Xhenetit do të betohen se të Dërguarit e Zotit kanë ardhur në dynja tek ne dhe tek këta që janë në zjarr, dhe thanë të vërtetën nga Zoti ynë, për premtimin që i bëri besimtarëve të bindur ndaj Tij dhe të dërguarve të Tij, dhe paralajmërimin që i bëri mohuesve të pabindur ndaj Tij dhe të dërguarve të Tij.

[23] Ky është Xheneti që jua trashëgoi Allahu për atë që vepruat në dynja.

-155-


  1. Më pas,[1] banorët e Xhenetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë.[2] Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?”[3] Ata do të thonë: “Po!” Atëherë, një thirrës në mes tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët;[4]
  2. ata të cilët i pengonin të tjerët nga rruga e Allahut,[5] duke dashur ta shtrembëronin atë[6] dhe që ishin mohues të botës tjetër!”[7]
  3. Mes tyre do të jetë një mur ndarës,[8] dhe mbi A’raf[9] (murin ndarës) do të ndodhen disa burra,[10] të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve.[11] Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Paqe qoftë mbi ju!”[12] Ata ende nuk do të kenë hyrë në të (Xhenet), megjithëse shpresojnë.[13]
  4. E kur t’iu kthehen sytë nga banorët e zjarrit,[14] do të thonë: “O Zoti ynë! Mos na bashko me njerëzit e padrejtë!”[15]
  5. Atëherë, njerëzit e A’rafit do t’u thërrasin disa burrave që i njohin nga tiparet,[16] duke u thënë: “Nuk ju ndihmoi as pasuria që grumbullat,[17] as mendjemadhësia që bënit.”[18]
  6. A nuk janë këta për të cilët u betuat se Allahu nuk do i përfshijë me mëshirë?[19] “Hyni në Xhenet! Për ju nuk ka më frikë dhe as nuk do të pikëlloheni!”[20]
  7. Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Lëshoni mbi ne pak nga uji ose nga ajo që ju ka furnizuar Allahu!”[21] Ata (banorët e Xhenetit) do të thonë: “Allahu i ka ndaluar këto[22] për mohuesit;[23]
  8. ata të cilët e morën fenë për tallje dhe lojë, dhe i mashtroi jeta e dynjasë.”[24] Kështu që sot, Ne do t’i harrojmë ata,[25] ashtu siç e harruan ata takimin e kësaj Dite[26] dhe siç i mohonin provat Tona.[27]

[1] Pas zënies së secilit prej dy grupeve vendin e vet në Xhenet apo në Zjarr.

[2] Gjetëm atë që na premtoi Zoti ynë në dynja, në gjuhën e të dërguarve të Tij; shpërblimin e Tij të madh për besimin në Të dhe në të dërguarit e Tij, dhe për bindjen ndaj Tij.

[3] A e gjetët të vërtetë atë që paralajmëruan të dërguarit e Allahut; ndëshkimin për mohimin e Tij dhe për shkeljen e urdhrave e ndalesave të Tij?

[4] Zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut qoftë mbi ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes me mohimin e Allahut dhe mosbindjen ndaj Tij!

[5] Nga feja e vërtetë e Allahut, Islami.

[6] Me trillime, shpifje e deformime.

[7] Mohonin ditën e Kiametit, ringjalljen, llogarinë dhe shpërblimin e ndëshkimin në botën tjetër.

[8] Mes Xhenetit dhe Xhehenemit do të jetë një mur ndarës i madh, që quhet El A’raf, i cili përmendet gjithashtu në suren El Hadid, Ajeti 13.

[9] El A’raf do të thotë lartësitë, pra muri ndarës do të jetë i lartë.

[10] Këta burra do të jenë të fundit që do të marrin gjykimin për hyrjen në Xhenet dhe do të jenë të çliruarit e Allahut, për shkak se këta dolën nga zjarri për shkak të veprave të tyre të mira që kishin bërë në dynja, por ato vepra nuk ishin të mjaftueshme që t’i fusnin në Xhenet, por ishin të barabarta me të këqiat që kishin bërë, kështu që Allahu do i çlirojë ata me mëshirën dhe bujarinë e Tij, dhe do i fusë në Xhenet, inshaAllah.

[11] Burrat që do të qëndrojnë mbi el A’raf do të mund t’i shohin të dy palët: edhe banorët e Xhenetit edhe banorët e Zjarrit, dhe do t’i njohin ata nga tiparet e tyre; fytyrat e ndritshme dhe të lumtura të banorëve të xhenetit, dhe fytyrat e nxira e sytë blu që tregojnë vuajtjen dhe dënimin e banorëve të Zjarrit.

[12] Paqa dhe Siguria e Allahut nga ndëshkimi dhe dënimi i Tij i dhembshëm qoftë mbi ju!

[13] Që Allahu t’i fusë në Xhenet.

[14] Kur atyre burrave që ndodhen mbi A’raf do t’iu kthehen sytë, pa dashjen e tyre, drejt banorëve të Zjarrit, dhe të shohin shpërfytyrimin që Allahu u ka bërë atyre dhe tmerrin që heqin.

[15] Të cilët i bënë padrejtësi vetvetes duke i sjellë asaj zemërimin dhe ndëshkimin Tënd.

[16] Nga tiparet e banorëve të zjarrit: fytyra e zezë dhe sytë blu; ose nga tiparet me të cilat i kanë njohur në dynja, si mendjemadhësia dhe pasuria apo pushteti.

[17] Këtu nuk ju bën dobi pasuria që grumbulluat në dynja në mënyrë të padrejtë, ashtu si ju bënte dobi atje për të arritur ato që dëshironit padrejtësisht.

[18] Mendjemadhësia ndaj të vërtetës, ndaj lajmëtarëve të Zotit dhe ndaj pasuesve të tyre besimtarë.

[19] Kjo fjalë i drejtohet banorëve të Zjarrit në shenjë ironie: “A nuk janë këta, njerëzit e A’rafit, ose besimtarët e varfër me të cilët ju talleshit në dynja dhe thonit se ata nuk do të kenë ndonjëherë dhe nuk do të mëshirohen kurrë nga Allahu?” Ata do të pohojnë në heshtje, duke e ditur mirë se janë ata.

[20] Do i thuhet të gjithë besimtarëve, ose besimtarëve të varfër, ose njerëzve të A’rafit; ose njerëzve të A’rafit që kanë qenë besimtarë të varfër, me të cilët banorët e Zjarrit talleshin në dynja: “Hyni në Xhenet, dhe kënaquni në të, sepse për ju nuk do të ketë më frikë për atë që do të vijë, dhe as nuk do të pikëlloheni kurrë për atë që ka kaluar.” E gjithë kjo në sy të banorëve të Zjarrit, që të jetë si një ndëshkim shpirtëror dhe psikologjik i tyre; tallje dhe ironi e ngjashme me atë që bënin ata në dynja kundrejt besimtarëve.

[21] Na lëshoni pak ujë apo ushqim nga ato që ju ka furnizuar Allahu. Banorët e Zjarrit do ia thonë këtë njerëzve të tyre të njohur apo të afërm që do të jenë në Xhenet.

[22] Ushqimet dhe pijet e Xhenetit.

[23] Ata të cilët mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[24] Kur dikush i ftonte në fenë e Allahut, ata e merrnin për tallje dhe lojë, duke bërë mendjemadhësi, për shkak se i mashtroi ajo që kishin arritur nga dynjaja prej pasurisë, pushtetit dhe jetës së shthurur.

[25] Do t’i lëmë në dënimin e dhembshëm dhe poshtërues; të etur dhe të uritur, ashtu si e lanë ata punën dhe përgatitjen për takimin e kësaj dite.

[26] Takimin me Allahun në ditën e Llogarisë.

[27] Mohuan të gjitha provat që Allahu ua solli atyre nëpërmjet të dërguarve dhe Librave të Tij.

-156-


  1. Ne u kemi sjellë atyre një Libër,[1] të cilin e kemi sqaruar me dije,[2] që të jetë udhëzues dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.[3]
  2. A mos vallë presin përmbushjen e tij?[4] Ditën kur të vijë përmbushja e tij,[5] ata që e patën harruar atë më parë[6] do të thonë: “Të dërguarit e Zotit tonë e sollën të vërtetën![7] A ka ndonjë ndërmjetësues që të ndërmjetësojë për ne,[8] ose të kthehemi sërish që të veprojmë ndryshe nga ç’vepruam?”[9] Ata e humbën veten e tyre dhe ato që trillonin, i braktisën.[10]
  3. Me të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë,[11] pastaj u ngrit mbi Arsh.[12] Ai e mbulon ditën me errësirën e natës, e cila e ndjek atë (ditën) me shpejtësi.[13] Krijoi Diellin, Hënën dhe yjet, të përulura me urdhrin e Tij.[14] Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhri.[15] I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve![16]
  4. Lutjuni Zotit tuaj të përulur dhe fshehtas![17] Vërtet, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.[18]
  5. Dhe mos bëni çrregullime në Tokë,[19] pas rregullimit të saj,[20] por lutjuni Atij (Allahut) me frikë dhe shpresë![21] Vërtet, mëshira e Allahut është pranë atyre që veprojnë mirë.[22]
  6. Ai i dërgon erërat si lajmëruese të mëshirës së Tij.[23] Kur ato (erërat) mbartin re të rënda, Ne i drejtojmë në një vend të vdekur, ku zbresim ujin e shiut, me anë të cilit nxjerrim nga të gjitha frutat; po kështu do i nxjerrim edhe të vdekurit;[24] me qëllim që të kujtoni.[25]

[1] O Muhamed, ne u kemi sjellë mohuesve të Mekes dhe mbarë njerëzimit Kuranin që të është shpallur ty.

[2] Me dije nga ana Jonë për sqarimin dhe dallimin e të vërtetës nga e pavërteta.

[3] Që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[4] Përmbushjen e asaj që thuhet në Kuran për përfundimin dhe ndëshkimin e mohuesve.

[5] Ditën e përmbushjes së asaj që thuhet në Kuran, Ditën e Kiametit, kur mohuesit të futen në Zjarr.

[6] Mohuesit, që e patën harruar takimin e asaj Dite me Allahun për të dhënë llogari.

[7] Të vërtetën e besimit dhe të vërtetën e kësaj dite, por ne nuk i besuam dhe nuk i pasuam ata.

[8] A ka ndonjë mik apo shok që mund të ndërmjetësojë për ne tek Allahu, që të na shpëtojë nga kjo që na ka zënë prej zemërimit të Allahut dhe ndëshkimit të Tij.

[9] A mund të kthehemi përsëri në dynja dhe të veprojmë vepra të mira siç urdhëron Allahu, ndryshe nga ato që vepruam?

[10] E humbën veten e tyre duke i shitur të mirat e përhershme të Xhenetit me çmimin e lirë të stolive të dynjasë së përkohshme; dhe miqtë dhe idhujt që ata i adhuronin në dynja dhe që trillonin për Allahun gënjeshtër, duke thënë se ata janë zota të tyre dhe se Allahu i ka urdhëruar t’i adhurojnë ato, sot i braktisën ata dhe nuk mund t’i ndihmojnë apo të ndërmjetësojnë për ta, madje as për veten e tyre.

[11] Pra, adhuroni vetëm Zotin tuaj, që ju ka krijuar juve dhe që ka krijuar qiejt e Tokën për gjashtë ditë -nga e djela në të premte- dhe mos i bëni shok Atij!

[12] Arshi është Froni Hyjnor i Madhërishëm, i cili përfshin në gjerësinë e tij qiejtë dhe Tokën, dhe gjithçka në to dhe mes tyre; Allahu u ngrit dhe u lartësua mbi Fronin e Tij, mbi Arsh, në atë mënyrë që i përshtatet Madhështisë dhe Pushtetit të Tij; Ai u ngrit mbi Arsh dhe rregulloi e sistemoi gjithësinë, vendosi ligjet e Tij mbi gjithçka krijoi, ligjet fizike dhe ato shpirtërore e fetare.

[13] Do të vazhdojnë kështu të zbatojnë ligjin që Allahu ka vendosur për to, deri në ditën e Kiametit, kur Allahu ta palosë këtë botë, dhe t’i çojë njerëzit në një botë tjetër.

[14] Të bindura dhe të nënshtruara vetëm ndaj urdhrit të Allahut, i cili nuk kundërshtohet dhe nuk kthehet; dhe që nuk i binden urdhrit apo dëshirës së askujt tjetër përveç Allahut, siç janë idhujt apo zotat që adhurojnë idhujtarët, të cilat nuk kanë fuqi të sjellin as dëm as dobi, dhe sigurisht që as mund të krijojnë as të urdhërojnë! I Lartësuar qoftë Zoti ynë, të Cilit i përket adhurimi i çdo gjëje që ka krijuar, Zoti i botëve!

[15] Vetëm Allahut i përket Krijimi, që përfshin vendosjen e ligjeve fizike të ekzistencës; dhe Urdhri, që përfshin vendosjen e ligjeve fetare dhe ligjeve të shpërblimit apo ndëshkimit në botën e përhershme.

[16] I Lartësuar dhe i Madhëruar në Veten e Tij, dhe i Bekuar që i jep mirësi e begati krijesave të Tij. Çdo begati dhe mirësi që gjendet në gjithësi, është nga gjurmët e mëshirës së Allahut, Zotit të Botëve.

[17] Lutjuni vetëm Zotit dhe askujt tjetër, dhe lutjuni Atij të përulur, me këmbëngulje dhe në mënyrë të fshehtë e të sinqertë, dhe jo duke ngritur zërin për t’u dukur dhe me hipokrizi.

[18] Në lutje, duke ngritur zërin që ta dëgjojnë apo ta shohin të tjerët, ose duke kërkuar gjëra që nuk i takojnë (p.sh. të kërkosh vendin apo shkallën e profetëve); apo që i kalon kufijtë e Allahut në çdo lloj vepre qoftë.

[19] Mos i bëni shok Allahut duke adhuruar idhujt në Tokë, dhe mos i shkelni urdhrat dhe ndalesat e Tij; ky është shkatërrimi në Tokë; sepse këto prishin moralin, veprat dhe bereqetin e njerëzve në Tokë.

[20] Pasi Allahu e ka rregulluar atë për njerëzit që i binden Atij, duke dërguar Lajmëtarë që ftojnë në të vërtetën dhe sqarojnë provat dhe shpalljet e Allahut.

[21] Lutjuni vetëm Allahut dhe askujt tjetër; dhe lutja e adhurimi juaj duhet të jetë me frikë nga ndëshkimi i Allahut dhe me shpresë për arritjen e shpërblimit të Tij; me frikë se nuk do të pranohet dhe me shpresë se do të pranohet.

[22] Që i bëjnë mirë adhurimet e Allahut dhe që i bëjnë mirë njerëzve gjithashtu; pra sa më shumë vepër mirë dhe bamirës të jetë njeriu, aq më pranë mëshirës së Zotit të tij është ai, dhe aq më pranë tij është Zoti me mëshirën e Vet.

[23] Lajmëruese të afrimit të shiut, si mëshirë për njerëzit.

[24] Nga varret e tyre pasi të jenë tretur dhe zhdukur; do t’i ringjallim në ditën e Gjykimit, dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun, njësoj si ngjall Tokën e vdekur me anë të shiut. Muslimi ka nxjerrë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu!) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mes dy fryrjeve në Sur janë dyzet (ditë, muaj, ose vite – nuk është e përcaktuar). Pastaj Allahu do të zbresë shi nga qielli dhe të gjithë të vdekurit do të mbijnë, ashtu si mbijnë bishtajoret. Nuk ka pjesë nga trupi i njeriut që nuk do të tretet, me përjashtim të një kocke të vetme, që është bishti kockor (tailbone, coccyx), dhe nga kjo kockë do të rikrijohen njerëzit në ditën e Gjykimit.”

[25] Të kujtoni provat dhe shenjat e Allahut, që të bëni krahasimet dhe të merrni mësim, e jo t’i kaloni në neglizhencë dhe pa ia vënë veshin.

-157-


  1. Toka e mirë i nxjerr bimët me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, nuk nxjerr veçse diçka me zor.[1] Kështu i sjellim provat njëra pas tjetrës për njerëzit që falënderojnë.[2]
  2. Ne e dërguam Nuhun te populli i tij,[3] e ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij![4] Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të madhe!”[5]
  3. Paria e popullit të tij i tha: “Ne të shohim ty në humbje të qartë.”[6]
  4. Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam aspak në humbje, por jam i dërguar nga Zoti i botëve![7]
  5. Unë ju komunikoj shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj,[8] dhe di nga Allahu atë që ju nuk e dini.[9]
  6. A u çuditët që ju erdhi këshillë nga Zoti juaj nëpërmjet një njeriu prej jush,[10] për t’ju paralajmëruar,[11] që të ruheni,[12] dhe në mënyrë që të mëshiroheni?![13]
  7. Por ata e quajtën gënjeshtar atë (Nuhun).[14] Atëherë Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të,[15] në barkë,[16] dhe i mbytëm ata që i përgënjeshtruan provat Tona. Vërtet, ata ishin një popull i verbër.[17]
  8. Edhe popullit Ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin.[18] Ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk keni frikë?”[19]
  9. Paria që mohoi[20] nga populli i tij, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi[21] dhe mendojmë se je vërtet gënjeshtar.”[22]
  10. Ai tha: “O populli im! Unë nuk kam ndonjë mendjelehtësi, por jam i dërguar nga Zoti i botëve.[23]

[1] Toka e mirë jep prodhime të mira, me lejen e Allahut, kur mbi të zbret shi, kurse toka e keqe nxjerr vetëm bimë të këqia dhe të padobishme, edhe ato me vështirësi; kështu është shembulli i besimtarit dhe i mosbesimtarit.

[2] Që falënderojnë Allahun për udhëzimin që i ka dhuruar dhe që i ka bërë ta shohin rrugën e humbjes, duke ndjekur urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[3] Pasi përmendi historinë e Ademit, si dhe një numër të provave që vërtetojnë Njësimin e Tij, Allahu i përforcoi ato duke treguar çfarë i ndodhi të dërguarve të Tij me popujt e tyre mohues dhe se si Allahu përkrahu dhe shpëtoi besimtarët njësues të Tij, dhe si i shkatërroi ata që nuk iu bindën Allahut dhe të dërguarve të Tij, duke treguar se thirrja e të gjithë të dërguarve ka qenë e njëjtë dhe feja e tyre e njëjtë; duke filluar me Nuhin (alejhi selam), profetin e parë të dërguar në Tokë pas Ademit (alejhis selam).

[4] Nuk keni zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut.

[5] Në rast se nuk adhuroni vetëm Allahun, por i bëni Atij shok dhe nuk i bindeni Atij, atëherë kam frikë se do ju vijë patjetër ndëshkimi i një dite të madhe, në të cilën do të meritoni zemërimin e Zotit tuaj mbi ju. Ju paralajmëroj sepse më vjen keq për ju dhe nuk dua që të dënoheni.

[6] Jo vetëm që nuk iu bindën Nuhut, por i bënë mendjemadhësi dhe e quajtën të humbur dhe në rrugë krejtësisht të gabuar, gjë që është e qartë për çdo njeri, sipas tyre. Në fakt, në humbje të sigurtë dhe krejtësisht të qartë ishin ata, paria apo shtresa e pasur dhe udhëheqëse nga populli i Nuhut, si dhe pasuesit e tyre, të cilët i gdhëndnin dhe i pikturonin idhujt nga drurët apo gurët që nuk shikojnë apo dëgjojnë, pastaj i adhuronin ato në vend të Allahut, Krijuesit të tyre; a nuk janë këta më të humbur se njerëzit e çmendur dhe budallenj?!

[7] Gjithçka ju them, urdhra apo ndalesa, janë nga Zoti i gjithësisë, dhe jo nga vetja ime.

[8] Ju paralajmëroj për ndëshkimin e Allahut, nëse nuk më dëgjoni.

[9] Që ndëshkimi i Tij nuk mund të kthehet, por do të bjerë mbi popullin mohues dhe idhujtar.

[10] Të cilin e njihni mirë dhe e dini çfarë njeriu është; që është i sinqertë, i butë, i urtë dhe që kurrë nuk gënjen.

[11] Nga ndëshkimi i Allahut për shkak të mohimit tuaj.

[12] Ti ruheni dënimit të Allahut dhe zemërimit të Tij, duke adhuruar vetëm Allahun dhe duke iu bindur Atij dhe të dërguarit të Tij.

[13] Të mëshiroheni nga Zoti juaj, dhe të mos ju ndëshkojë, por tju shpërblejë me të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.

[14] Nuk e dëgjuan Nuhun dhe thyen urdhrin e Zotit të tyre, duke iu drejtuar idhujve dhe duke shkuar pas kënaqësive dhe mendjemadhësisë së tyre.

[15] Prej besimtarëve.

[16] Në anijen që Allahu urdhëroi Nuhun të ndërtonte dhe të ngarkonte mbi të nga të gjitha llojet e kafshëve në çift, familjen e tij –përveç djalit dhe gruas, të cilët mohuan- dhe ata që i besuan; që në fakt ishin shumë pak në numër.

[17] Sepse i panë provat e qarta me sytë e tyre, por nuk i panë me zemrat e tyre, kështu që në të vërtetë ishin të verbër ndaj të vërtetës.

[18] Populli Ad ka jetuar në Jemen. Ata janë bijtë e Ad ibën Iram, ibën Aus, ibën Sam, ibën Nuh; pra nga pasardhësit e Nuhut (alejhis selam).

[19] A nuk keni frikë nga Zoti juaj dhe nga ndëshkimi i Tij për shkak të adhurimit të tjerëve përveç Tij, dhe mosbindjes ndaj Tij?

[20] Që mohuan Allahun dhe Njësimin e Tij, dhe rezufuan shpalljen e Allahut dhe të dërguarin e Tij, Hudin (Paqa dhe Siguria e Allahut qoftë mbi të!).

[21] Larg të vërtetës dhe në humbje, për shkak të lënies së fesë dhe zotave tanë; duke e quajtur këtë gjë mendjelehtësi, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë dhe mendjelehtët janë ata.

[22] Kur thua se je i dërguar nga Zoti i botëve.

[23] Nuk jam mendjelehtë, por jam dërguar vërtet nga Zoti i botëve, që tju komunikoj atë që më urdhëron Ai.

-158-


  1. Unë ju komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju.[1]
  2. A u çuditët që ju erdhi këshillë nga Zoti juaj nëpërmjet një njeriu prej jush, për t’ju paralajmëruar?[2] Kujtoni që Ai ju bëri trashëgues (të Tokës) pas popullit të Nuhut dhe ju shtoi madhësinë e shtatit.[3] Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush, në mënyrë që të shpëtoni!”[4]
  3. Ata thanë:[5] “A ke ardhur te ne që të adhurojmë vetëm Allahun e t’i lëmë ato që adhuronin prindërit tanë?! Atëherë na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je i sinqertë!”[6]
  4. Ai (Hudi) tha: “Tashmë ka rënë mbi ju pakënaqësi dhe zemërim nga Zoti juaj.[7] A më kundërshtoni mua për disa emra (idhujsh), që i keni vendosur vetë ju dhe prindërit tuaj, e për të cilët Allahu nuk ka zbritur kurrfarë argumenti?[8] Kështu që, pritni, se edhe unë po pres bashkë me ju!”[9]
  5. Atëherë, Ne e shpëtuam atë (Hudin) dhe ata që ishin me të,[10] me mëshirën Tonë,[11] dhe i shfarosëm ata që i përgënjeshtruan provat Tona.[12] Ata nuk ishin aspak besimtarë.[13]
  6. Ndërsa popullit Themud i dërguam vëllanë e tyre, Salihun.[14] Ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Vërtet, juve ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj:[15] Kjo është deveja e Allahut, si mrekulli për ju.[16] Lëreni të kullosë në tokën e Allahut, dhe mos e prekni kurrë për t’i bërë keq, se përndryshe do ju zërë ndëshkim i dhembshëm![17]

[1] Që ju këshilloj vetëm për të mirën tuaj, ashtu si më ka urdhëruar Zoti, pa gënjyer, pa shtuar e pa ndryshuar asgjë.

[2] Nga ndëshkimi i Allahut dhe zemërimi i Tij.

[3] Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju bëri zëvendës në Tokë dhe trashëgues të saj, pas popullit Nuhut, me lutjen e të cilit Allahu përmbyti të gjithë njerëzit e Tokës, kur ata e përgënjeshtruan atë; dhe kujtoni që Allahu ju ka bërë më të mëdhenj në trup dhe më të fortë se populli i Nuhut, dhe se të gjithë bashkëkohësit tuaj; si favorizim dhe mirësi ndaj jush; por ata nuk falënderuan Allahun për këtë mirësi, por e shfrytëzuan atë për të terroziruar dhe shtypur popujt e tjerë rreth tyre, dhe nuk e besuan Hudin (Alejhis selam).

[4] Falënderoni Allahun për mirësitë e mëdha që ju ka dhuruar, duke adhuruar vetëm Allahun dhe duke ju bindur Atij dhe të dërguarit të Tij, dhe duke ju larguar idhujtarisë dhe shkeljes së Ligjeve të Tij; në mënyrë që të shpëtoni nga ndëshkimi i Allahut dhe të fitoni shpërblimin e Tij.

[5] Populli i Adit i tha Hudit, të dërguarit të tyre.

[6] Ne nuk do e lëmë adhurimin e idhujve që bënin prindërit tanë, dhe nuk do të pasojmë ty në atë që na fton prej Njësimit të Allahut dhe bindjen ndaj Tij, prandaj na e sill dënimin me të cilin na kërcënon, nëse je i sinqertë dhe nëse fjalët e tua janë të vërteta.

[7] Me këto fjalë që thatë, e bëtë të detyrueshme rënien e dënimit dhe zemërimit të Zotit tuaj mbi ju.

[8] Adhuroni idhuj e zota që vetë ju dhe prindërit tuaj i prodhoni dhe i vendosni emra nga vetja juaj, dhe sigurisht që nuk keni asnjë lloj prove apo leje nga Allahu që të veproni kështu; atëherë me çfarë logjike më kundërshtoni mua, kur ju ftoj të adhuroni vetëm Allahun, Krijuesin tuaj?!

[9] Pritni gjykimin e Allahut mes nesh, se edhe unë jam duke e pritur atë; dhe të shohim si do të jetë përfundimi i secilit.

[10] Besimtarët që i besuan Hudit dhe e pasuan atë në adhurimin e Allahut dhe bindjen ndaj Tij.

[11] Allahu i udhëzoi ata në besimin e vërtetë, dhe e bëri besimin e tyre shkak për arritjen e mëshirës së Tij, kështu që i shpëtoi me mëshirën e Tij.

[12] I shfarosëm të gjithë dhe nuk lamë asnjë prej tyre që mund t’i trashëgonte. Shfarosja e tyre ishte me anë të erës shkatërruese, e cila nuk linte gjë pa e kthyer në kalbësirë, kudo që të kalonte. Historia e tyre është përmendur në disa sure të Kuranit.

[13] Nuk e besonin Allahun dhe as të dërguarin e Tij, Hudin (Alejhis selam), kështu që morën ndëshkimin që merituan.

[14] Populli Themud është gjithashtu nga pasardhësit e Samit, birit të Nuhut (alejhis selam). Ky popull ka jetuar në Veri të Arabisë Saudite, mes Medines dhe Petras – në Jordani. Vendi i tyre ekziston edhe sot dhe quhet El Hixhr (Hegra-Greqisht), ose Madain Salih. Populli i Themudit ka jetuar pas popullit të Adit.

[15] Që vërteton atë në të cilën ju ftoj, për të adhuruar vetëm Allahun pa i shoqëruar asgjë, dhe të më besoni mua që jam i dërguari i Tij tek ju.

[16] Allahu e krijoi atë deve nga shkëmbi, si mrekulli për ta, meqenëse i kërkuan Salihut një mrekulli nga Zoti që të  besonin se ai ishte i dërguar i Zotit; ata i kërkuan Salihut që nga një shkëmb i caktuar të nxirrte një deve barsë, që sa të dilte nga shkëmbi, të lindte fëmijën e saj. Atëherë Salihu i mori atyre besën dhe premtimin që nëse Allahu do e bënte atë që kërkonin, ata do ta besonin atë dhe gjithçka që ju thoshte. Kur i dhanë besën, Salihu u ngrit të falej dhe t’i lutej Allahut, dhe në atë çast shkëmbi lëvizi dhe u ça duke nxjerrë një deve të madhe me fëmijën e saj në bark që lëvizte për të dalë, ashtu si e kishin kërkuar ata. Atëherë besoi i pari i popullit dhe ata që ishin me të, kurse pjesa tjetër e parisë dhe e popullit nuk besoi për shkak të disave prej tyre që ishin idhujtarë, të cilët i ndaluan të besonin Salihun dhe të linin fenë e të parëve.

[17] Lëreni devenë e Allahut të ushqehet vetë, pa u lodhur për ushqyerjen e saj, por thjesht mos i bëni gjë të keqe. Dhe ranë dakord që uji i Burimit të Devesë të ndahej përgjysmë: një ditë të ishte vetëm për devenë, kurse ditën tjetër për njerëzit; por në ditën që burimi ishte vetëm për devenë, njerëzit do të merrnin qumështin e saj, i cili ishte në sasi të madhe që iu mjaftonte për të pirë e për të rezervuar. Kurse në ditën kur kishin rradhën për të pirë nga burimi, ata nuk merrnin nga qumështi i devesë, por mund të rezervonin ujë nga burimi sa të donin, për vete dhe për bagëtitë e tyre. Kaluan disa vite kështu, deri sa më të këqinjtë e tyre e therën devenë, dhe atyre iu erdhi dënimi që iu ishte paralajmëruar.

-159-


  1. Kujtoni që Ai ju bëri trashëgues (të Tokës) pas Adit dhe ju strehoi në Tokë;[1] në rrafshinat e saj ndërtoni kështjella, kurse malet i skalitni dhe i bëni shtëpi.[2] Kujtoni mirësitë e Allahut dhe mos u bëni çrregullues në tokë!”[3]
  2. Ata që bënë mendjemadhësi nga paria e popullit të tij[4] u thanë atyre të dobtëve që kishin besuar:[5] “A e dini me siguri që Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?”[6] Ata thanë: “Sigurisht, ne besojmë në gjithçka me të cilën ai është dërguar (nga Allahu).”[7]
  3. Ata që bënë mendjemadhësi thanë: “Ne jemi mohues të asaj që besoni ju.”[8]
  4. Dhe e therën devenë, përbuzën urdhrin e Zotit të tyre[9] dhe thanë: “O Salih! Na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je vërtet prej të dërguarve!”[10]
  5. Atëherë i erdhi dridhja e fortë,[11] dhe ata u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpinë e tyre.[12]
  6. Ai (Salihu) u largua prej tyre[13] dhe tha: “O populli im! Unë jua komunikova mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë.”[14]
  7. (Kujto) Edhe Lutin,[15] kur i tha popullit të vet:[16] “A po bëni veprën e shëmtuar që nuk e ka bërë askush para jush, në asnjë botë?[17]
  8. Po i afroheni meshkujve me epsh, në vend të femrave.[18] Vërtet, ju jeni një popull që e teproni!”[19]

[1] Ju bëri vend në Tokë dhe jua lehtësoi gjithçka ju nevojitet dhe që dëshironi.

[2] Të gjitha këto jua mundësoi Allahu duke ju dhënë fuqi dhe duke ju inspiruar që t’i realizoni ato, prandaj falënderoni për mirësitë e Allahut ndaj jush.

[3] Mos adhuroni tjetër përveç Allahut dhe mos shkelni urdhrat dhe ndalesat e Allahut.

[4] Ata që bënë mendjemadhësi ndaj pasimit të Salihut dhe besimit të Allahut; duke mos e pasuar Salihun dhe duke mos e besuar Allahun.

[5] Iu drejtuan besimtarëve të dobët e të varfër, dhe jo atyre që ishin të pasur dhe pjesë e parisë.

[6] A jeni të sigurtë dhe a keni dije të vërtetë që Allahu e ka dërguar Salihun tek ne për të na ftuar në besimin dhe rrugën e vërtetë? Duke pasur qëllim që t’i largojnë nga pasimi i Salihut dhe nga besimi i vërtetë.

[7] Prej të vërtetës dhe udhëzimit; Ne e besojmë se ai është dërguar nga Allahu dhe se ato që na thotë ai, ia ka urdhëruar Allahu.

[8] Mohues dhe refuzues të profetësisë së Salihut dhe të gjithçkaje që i ishte shpallur atij nga Allahu.

[9] Therën devenë e Allahut që ju kishte ardhur si provë dhe mrekulli nga Allahu, dhe përbuzën urdhrin e Tij me mendjemadhësi e kryeneçësi.

[10] Nëse je vërtetë i dërguar nga Allahu, atëherë na e sill dënimin me të cilin na kërcënove nëse do e thernim devenë e Allahut.

[11] Populli Themud u ndëshkua dhe u shfaros me një zë shumë të fortë nga qielli, i cili shkaktoi edhe dridhje të fortë.

[12] Ndëshkimi i erdhi para agimit, dhe ata u gdhinë të vdekur në vendin dhe tokën e tyre.

[13] Kur ata therën devenë e Allahut dhe i kërkuan zbritjen e dënimit, ai u largua prej tyre dhe doli nga toka e tyre, sepse Allahu i shpalli që dënimi i tyre do të zbriste pas tri ditëve; dhe nuk mund të dënohet një popull kur profeti i tij vazhdon të jetë në mesin e tyre.

[14] Nuk i donit ata që ju këshillojnë për Hir të Allahut; që ju urdhërojnë të adhuroni vetëm Allahun dhe t’i bindeni atij, me qëllim që të fitoni në këtë botë dhe në botën tjetër; dhe që ju ndalojnë nga idhujtaria dhe shkelja e ndalesave të Allahut, që të mos ndëshkoheni në këtë botë dhe në botën tjetër.

[15] Kujto edhe Lutin, o Muhamed; ose “Dërguam edhe Lutin”. Luti është i biri Haranit, i biri i Azerit, ose biri i vëllait të Ibrahimit (Paqa dhe siguria e Allahut qoftë mbi të dy ata!). Luti besoi bashkë me Ibrahimin, që kur ishin në Persi, dhe emigruan së bashku në tokat e Levantit (rreth Palestinës).

[16] Populli i Lutit quhej Sedum.

[17] As në botën e njerëzve, as në botën e xhinëve dhe në asnjë botë tjetër të krijesave të Allahut. Populli i Lutit ishte i pari që bëri veprën e turpshme dhe të shëmtuar të shkuarjes së mashkullit me mashkull, pra kryerjen e marrëdhënieve intime mes të njëjtës gjini.

[18] Në vend që meshkujt e atij populli t’i afroheshin femrave, siç e ka lejuar dhe caktuar Allahu për martesë, ata i afroheshin meshkujve të tjerë me epsh, për të kryer veprën e turpshme dhe të neveritshme, që nuk e kishte kryer askush para tyre, dhe për të cilën morën ndëshkimin e rëndë në këtë botë dhe në botën tjetër.

[19] Që shkelni ligjet e Allahut më së shumti dhe në mënyrën më të shëmtuar.

-160-


  1. Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte ndryshe, por të thoshin: “Dëbojini ata nga qyteti juaj![1] Ata janë njerëz që pastrohen!”[2]
  2. Atëherë Ne e shpëtuam atë (Lutin) dhe familjen e tij,[3] me përjashtim të gruas së tij, e cila ishte nga të mbeturit.[4]
  3. Dhe mbi ta[5] lëshuam një rrebesh (gurësh).[6] Shiko, si ishte përfundimi i keqbërësve![7]
  4. Edhe popullit të Medjenit[8] i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.[9] Vërtet, juve ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj,[10] prandaj përmbusheni matjen dhe peshimin, mos u hani njerëzve hakun dhe mos bëni çrregullime në tokë, pas rregullimit të saj.[11] Kjo është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë![12]
  5. Mos zini pritë në çdo rrugë, duke kërcënuar[13] dhe penguar nga rruga e Allahut ata që e besojnë Atë,[14] dhe duke dëshiruar shtrembërimin e saj![15] Kujtoni kur ishit të paktë në numër e Ai ju shumoi,[16] dhe shikoni si ishte fundi i çrregulluesve![17]
  6. Meqenëse një grup prej jush besoi në atë me të cilën jam dërguar,[18] ndërsa grupi tjetër nuk besoi,[19] atëherë duroni derisa Allahu të gjykojë mes nesh, e Ai është gjykatësi më i mirë”![20]

[1] Dëboni Lutin dhe ata që kanë besuar bashkë me të.

[2] Që janë të pastër nga mëkati i shëmtuar që bënin ata, dhe që pastrohen fizikisht gjithashtu. Janë të pastër nga afrimi në vendin e jashtëqitjes (anusin) e burrave apo të grave.

[3] Sepse askush nga populli i tij nuk besoi, përveç familjes së tij; dhe nga familja e tij, gruaja e tij nuk besoi, kështu që u dënua bashkë me ata që u dënuan.

[4] Nga të mbeturit që do ju vinte dënimi; Allahu e urdhëroi Lutin që dilte nga qyteti natën, bashkë me familjen e tij, sepse dënimi do të vinte në mëngjes; dhe ai doli nga qyteti bashkë me familjen, përveç gruas së tij, e cila ishte një prej mosbesimtarëve dhe prej atyre që mbetën dhe përjetuan dënimin e rëndë.

[5] Populin e Lutit që nuk besuan dhe nuk u kthyen nga vepra e tyre e shëmtuar.

[6] Rrebesh gurësh argjilor që ranë nga qielli.

[7] Shiko, si ishte përfundimi i atyre që përgënjestruan Allahun dhe të dërguarin e Tij, Lutin; dhe që bënë mëkatin më të shëmtuar, duke i lejuar vetes homoseksualitetin që Allahu ia kishte ndaluar rreptësisht; A nuk ishte përfundimi i tyre shkatërrimi dhe ndëshkimi i tmerrshëm në këtë botë, dhe dënimi më i madh i pret në botën tjetër; po kështu do të jetë përfundimi dhe ndëshkimi i atyre që të përgjënjeshtrojnë ty, o Muhamed, në rast se nuk pendohen dhe nuk kthehen në rrugën e drejtë dhe besimin e vërtetë.

[8] Populli i Medjenit janë pasardhësit e Medjanit, të birit të Ibrahimit (alejhis selam). Medjen quhet edhe populli, po edhe qyteti ku kanë banuar, i cili ka qenë pranë qytetit Mean, në Jordan. Ata janë quajtur gjithashtu Banorët e Ejkes, siç do të përmendet më pas në suren Es Shuara, 176-190. Në këtë qytet emigroi edhe Musai (alejhis selam) për 8 apo 10 vjet, siç është përmendur në Suren El Kasas, ajeti 23].

[9] Kjo ka qenë thirrja e të gjithë profetëve.

[10] Që vërteton atë në të cilën ju ftoj, për të adhuruar vetëm Allahun pa i shoqëruar asgjë, dhe të më besoni mua që jam i dërguari i Tij tek ju.

[11] Mos veproni në kundërshtim me urdhrin e Allahut në Tokë, se kështu e prishni rregullin e saj, të vendosur nga i Dërguari i Allahut tek ju, i cili urdhëron për të mirën dhe ndalon nga e keqja.

[12] Këto këshilla janë më të mira për ju, në këtë botë dhe në botën tjetër, nëse më besoni muaj dhe atë që më shpallet nga Allahu.

[13] Duke kërcënuar njerëzit me vrasje për t’iu marrë pasurinë.

[14] Duke penguar besimtarët që shkonin te Shuajbi (Alejhis selam) për ta pasuar atë.

[15] Do të donit që rruga e Allahut të ishte e shtrembër dhe që ju t’i jepnit drejtimin që dëshironit, ndërkohë që detyra juaj është që ta respektoni, ta madhëroni dhe ta ndiqni atë rrugë që Allahu e shtriu dhe e drejtoi për robët e Tij, me qëllim që ajo rrugë t’i drejtojë ata te Allahu, kënaqësia e Tij dhe xheneti i Tij. Ka gjithashtu kuptimin që ata dëshirojnë dhe ruajnë që besimtarët të rrëshqasin dhe të dalin nga rruga e drejtë, në humbje.

[16] Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, i Cili e shtoi numrin tuaj pasi kishit qenë shumë pak në numër, dhe ju ngriti mbi popujt e tjerë pasi kishit qenë të përulur dhe të përçmuar; pra falënderoni Allahun për mirësitë e Tij dhe adhuroni vetëm Atë, dhe ruajuni ndëshkimit të Tij në rast se nuk ktheheni në rrugën e Drejtë.

[17] Shikoni si përfunduan ata që kanë qenë para jush kur kundërshtuan urdhrin e Allahut dhe nuk i besuan të dërguarve të Allahut tek ata; disa i mbyti me ujë, disa i shfarosi me erë të fortë, disa me zë të fortë, disa me gura nga qielli; kështu do të jetë edhe fundi juaj, në rast se nuk më besoni mua (Shuajbin), të dërguarin e Allahut tek ju.

[18] Në njësimin e Allahut në adhurim, në lënien e mëkateve dhe lënien e padrejtësisë ndaj njerëzve, mosngrënien në kandar; duke më besuar dhe pasur mua.

[19] Grupi që nuk besoi ishte shumica.

[20] Që gjykon me drejtësi dhe që nuk i bën padrejtësi askujt; dhe atëherë do të triumfojë e vërteta, dhe ndëshkimi do të bjerë mbi çrregulluesit keqbërës.

-161-


  1. Ata që bënë mendjemadhësi[1] nga paria e popullit të tij thanë: “Ose do të dëbojmë nga qyteti ynë, o Shuajb, ty bashkë me ata që kanë besuar, ose do të ktheheni në fenë tonë!”[2] Ai (Shuajbi) tha: “Edhe nëse e urrejmë atë?![3]
  2. Ne do trillonim gënjeshtër ndaj Allahut, nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi prej saj.[4] Neve nuk na lejohet të kthehemi në të,[5] përveç nëse do Allahu, Zoti ynë.[6] Zoti ynë përfshin çdo gjë me dijen e Vet.[7] Ne mbështetemi tek Allahu.[8] O Zoti ynë! Gjyko mes nesh dhe popullit tonë me të drejtën![9] Ti je Gjykatësi më i mirë!”[10]
  3. Paria që nuk besoi nga populli i tij, tha: “Nëse pasoni Shuajbin, atëherë, padyshim që do të jeni të humbur.”[11]
  4. Atëherë i erdhi dridhja e fortë, dhe ata u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpinë e tyre.[12]
  5. Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, sikur të mos kishin jetuar kurrë aty;[13] ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, ata ishin vërtet të humburit.[14]
  6. Ai (Shuajbi) u largua prej tyre[15] dhe tha: “O populli im! Unë jua komunikova mesazhet e Zotit tim, dhe ju këshillova,[16] kështu që si të hidhërohem për një popull mohues?!”[17]
  7. Nuk ka qytet ku të kemi dërguar Lajmëtar,[18] dhe banorët i tij të mos i kemi sprovuar me skamje dhe fatkeqësi, në mënyrë që të përuleshin.[19]
  8. Pastaj ua shndërronim të keqen me të mirën,[20] deri sa shtoheshin e begatoheshin;[21] ndërsa ata thonin: “Edhe etërit tanë prekeshin nga e keqa dhe nga e mira.”[22] Atëherë Ne i dënonim ata papritmas dhe pa e kuptuar.[23]

[1] Ndaj besimit në Allah dhe në atë që i ftonte Shuajbi (alejhis selam).

[2] Kur Shuajbi (alejhis selam) i paralajmëroi ata për dënimin e Allahut, nëse ata nuk do i besonin atij dhe nuk do i bindeshin urdhrit të Allahut, ata e kërcënuan me dëbim nga qyteti i tyre, bashkë me besimtarët që e pasonin atë, ose të ktheheshin në fenë e tyre të idhujtarisë.

[3] A do të na detyroni me forcë që të futemi në fenë tuaj të pavërtetë, ndërkohë që ne e urrejmë atë dhe ju ftojmë me të mirë dhe logjikë që të adhuroni vetëm Krijuesin tuaj dhe t’i bindeni Atij, pa i shoqëruar asgjë?!

[4] Si mund ta lëmë të vërtetën dhe udhëzimin që na ka dhuruar Allahu, dhe të kthehemi në idhujtari dhe humbje të sigurtë, pasi që Allahu na bëri ta shikojmë realitetin.

[5] Në fenë tuaj të trilluar, dhe të lëmë fenë e vërtetë të Allahut.

[6] Përveç nëse për ndonjë nga ne është shkruar kështu nga Allahu, atëherë do të zbatohet caktimi i Tij, e Ai ka në dorë gjithçka.

[7] Allahu di gjithçka që ka qenë dhe gjithçka që do të vijë, dhe nëse Allahu di për ne që më parë se ne do të kthehemi në fenë tuaj, atëherë kjo do të ndodhë, përndryshe ne kurrë nuk do të kthehemi në fenë tuaj, dhe Allahu kurrë nuk e dëshiron idhujtarinë për robërit e Tij.

[8] Për çdo çështje dhe për të na mbrojtur nga kërcënimi juaj, e Allahu është mbrojtës i atij që mbështetet tek Ai.

[9] Pasi i hoqi shpresat se populli i tij mund të udhëzohej në rrugën e drejtë, dhe pasi u frikësua për besimtarët që ishin me të se mos i vinte ndonjë e keqe nga mosbesimtarët dhe të padrejtët, atëherë Shuajbi iu lut Allahut kundër popullit të tij, që të gjykonte mes tyre me gjykimin e Tij të drejtë, sipas të cilit do të zbriste dënimin mbi mosbesimtarët dhe do të shpëtonte besimtarët.

[10] Dhe më i drejtë, që i jep secilit atë që meriton dhe askujt nuk i bën as padrejtësinë më të vogël.

[11] Nëse besoni Shuajbin dhe lini fenë tuaj dhe të prindërve tuaj, do të humbni dhe do të  shkatërroheni.

[12] Dënimi i Allahut mbi popullin e Shuajbit ishte ashtu si e meritonin, si i kërcënonin besimtarët dhe siç e kërkuan edhe vetë ata; një re e madhe dhe e errët nga qielli lëshonte mbi ta rrufe dhe flakë, pastaj iu erdhi një zë i fortë dhe i tmerrshëm nga qielli, dhe në njëjtën kohë edhe dridhje e fortë nga toka, dhe kështu ata u gdhinë kufoma të vdekura në shtëpitë e tyre. Dënimi i tyre është përshkruar në disa Sure të Kuranit, si: Hud, 94; dhe Esh Shuara, 189.

[13] U shfarosën sikur të mos kishin ekzistuar dhe të mos kishin jetuar ndonjëherë në atë vend.

[14] Dhe jo besimtarët që pasuan Shuajbin (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!), siç thonin mosbesimtarët.

[15] Kur pa se dënimi i Allahut do të zbriste mbi popullin e tij përgënjeshtrues dhe nuk kishte më kthim.

[16] Me të gjitha mënyrat, që t’i bindeshit Allahut dhe t’i largoheshit ndalesave të Tij, përndryshe do ju vinte dënim i rëndë, por ju nuk dëgjuat, por i refuzuat këshillat e mia dhe provat e Allahut me mendjemadhësi, kështu që merituat dënimin.

[17] Si të më vijë keq dhe si të mërzitem për dënimin e një populli që e mohoi Allahun dhe të dërgarin e Allahut.

[18] Lajmëtar të Allahut nga vetë mesi i tyre, i cili i ftonte ata në adhurimin e Allahut dhe i ndalonte nga idhujtaria dhe veprat e këqia.

[19] Që t’i përuleshin Allahut dhe të ktheheshin tek Ai të penduar dhe duke i kërkuar falje. Pra, skamja dhe fatkeqësia mund të jenë tërheqje e vërejtjes nga Allahu, në mënyrë që të kthehesh nga rruga e gabuar apo mëkati, dhe t’i kërkosh Allahut falje me pendesë dhe përulje.

[20] I largonim fatkeqësinë dhe i jepnim shëndet e bollëk.

[21] Shtoheshin me fëmijë dhe begati.

[22] Në vend që të falënderonin Allahun për largimin e fatkeqësisë dhe zëvendësimin e saj me mirësi e begati, ata thonin që kështu ka ndodhur edhe me prindërit dhe të parët tanë, kështu ndodh edhe me ne; herë goditemi me fatkeqësi dhe herë na vjen e mira; duke harruar dhe duke mos e ditur se e mira vazhdon të qëndrojë me njeriun në rast se ai falënderon Allahun për të dhe vazhdon në bindje ndaj Tij, dhe në të kundërt, e mira ngrihet dhe vendin e saj e zë e keqja, e cila vjen papritur dhe pa e kuptuar, nëse ai nuk falënderon për të dhe vepron në mosbindja ndaj Allahut. Kurse besimtari qëndron gjithnjë mes falënderimit dhe durimit; nëse i vjen mira, ai falënderon Allahun, e nëse e godet ndonjë e keqe, ai duron dhe i drejtohet ALlahut me falje e lutje që t’ia largojë atë.

[23] Duke mos e pritur dhe duke mos e besuar që do iu vinte dënimi; dhe kur iu vinte papritmas, nuk e kuptonin që i kishte zënë dënimi.

-162-


  1. Sikur banorët e atyre qyteteve[1] të besonin dhe të ruheshin,[2] Ne do t’u hapnim atyre begati nga qielli dhe toka,[3] por ata përgënjeshtruan,[4] kështu që i dënuam për atë që vepronin.[5]
  2. Atëherë, a ndiheshin të sigurt banorët e qyteteve[6] nga ardhja e dënimit Tonë natën, ndërsa ishin në gjumë?![7]
  3. Apo, a ndiheshin të sigurt banorët e qyteteve nga ardhja e dënimit Tonë paradite, ndërsa argëtoheshin?![8]
  4. Atëherë, a ndiheshin ata të sigurt nga plani i Allahut?[9] Por, askush nuk ndihet i sigurt nga plani i Allahut, përveç njerëzve humbës.[10]
  5. A nuk u është bërë e qartë atyre që trashëguan tokën pas banorëve të saj (të mëparshëm), se, nëse duam Ne, i dënojmë ata për mëkatet e tyre?[11] Por Ne ua vulosim zemrat,[12] kështu që ata nuk dëgjojnë.[13]
  6. Ne po të tregojmë ty (o Muhamed) disa nga ngjarjet e atyre qyteteve.[14] Vërtet, të dërguarit e tyre u erdhën me prova të qarta, por ata nuk do të besonin diçka që e kishin mohuar më parë.[15] Kështu ua vulos Allahu zemrat mohuesve.[16]
  7. Për shumicën e tyre Ne nuk gjetëm ndonjë besëlidhje;[17] madje gjetëm se shumica e tyre ishin të pabindur.[18]
  8. Pas tyre,[19] Ne dërguam Musain me provat Tona, te Faraoni dhe paria e tij, por ata u treguan të padrejtë ndaj tyre (provave).[20] Pra, shiko si ishte përfundimi i shkatërruesve![21]
  9. Musai tha:[22] “O Faraon! Me të vërtetë, unë jam një i dërguar nga Zoti i botëve![23]

[1] Që Ne u dërguam të dërguar.

[2] Të besonin Allahun dhe të dërguarin e tyre, dhe t’i ruheshin Allahut dhe ndëshkimit të Tij duke iu larguar ndalesave të Tij dhe duke vepruar ato që Ai pëlqen dhe urdhëron.

[3] Do i zbrisnim shi nga qielli dhe do i bënim tokat e tyre të jepnin prodhime të bollshme.

[4] Allahun dhe të dërguarin e Tij.

[5] Për atë që fituan me veprat e tyre të këqia; mohimi i Allahut dhe provave të Tij.

[6] Banorët mohues dhe përgënjeshtrues të Allahut dhe të dërguarve të Tij.

[7] A ndiheshin të sigurt nga ardhja e dënimit të Allahut papritmas, për shkak të mohimit dhe përgënjeshtrimit të tyre? Si mund të ndiheshin të sigurt nga rdhja e dënimitë të Allahut kur ata e përgënjeshtronin Allahun dhe të dërguarin e Tij tek ata?!

[8] Dhe nuk e prisnin që t’iu vinte dënimi, megjithëse bënin vepra që meritonin të dënoheshin.

[9] I cili i tërheq dhe josh ata me disa të mira të përkohshme të kësaj bote, shëndet e jetë të mirë, megjithëse ata vazhdojnë në mosbesimin dhe mëkatet e tyre.

[10] Ai që ndihet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, megjithëse vazhdon në mohim dhe mëkat ndaj Allahut, ai nuk e beson shpërblimin për veprat që kryen njeriu në këtë botë, dhe as nuk i ka besuar të dërguarit e Allahut; padyshim se ky është humbësi i vërtetë në këtë botë dhe në botën tjetër. Besimtari i vërtetë duhet të ketë vazhdimisht frikë se mos sprovohet me ndonjë sprovë e cila i zhvesh besimin, dhe duhet që vazhdimisht të lutet me lutjen që na ka mësuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!): “O përmbysës i zemrave! Forcoje dhe bëje të qëndrueshme zemrën time në fenë Tënde!”; dhe të vazhdojë me punë të mira dhe përmendje të Allahut në çdo kohë, dhe veçanërisht në kohë sprove; sepse askush nuk e di përfundimin e vet dhe askush nuk është i sigurt deri sa të futet në xhenet.

[11] Ashtu si ndëshkuam popujt e mëparshëm idhujtarë për shkak të veprave të tyre, duke ua shpejtuar dënimin në këtë botë, për t’i pritur dënimi i botës tjetër që është edhe më i rëndë dhe i përhershëm; A nuk marrin mësim pasardhësit nga paraardhësit e tyre?!

[12] Zemrat e tyre vulosen dhe nxihen, sa që drita nuk mund të hyjë në to, dhe e mira nuk mund t’i arrijë ato.

[13] Nuk dëgjojnë të vërtetën dhe atë që iu bën dobi, por dëgjojnë provat me të cilat iu ngrihet argumenti dhe nuk i mbetet justifikim.

[14] Disa ngjarje dhe çështje që lidhen me popullin e Nuhut, Adit, Themudit, Lutit dhe Shuajbit; se si vepruan mosbesimtarët me të dërguarit e Allahut dhe çfarë përfundimi patën ata, me qëllim që përgënjeshtarët nga populli yt, o Muhamed, të marrin mësim dhe të mos ndjekin rrugën e atyre të parëve, se përndryshe do të përfundojnë si ata; por të ndjekin dhe të pasojnë ty dhe atë që ti iu komunikon nga Allahu.

[15] Që e kishin mohuar kur e dëgjuan për herë të parë; ose që e kishin mohuar më parë në dijen e Allahut kur Ai i nxori ata nga palca e Ademit dhe ata dëshmuan se Ai është Zoti i tyre.

[16] Ashtu si ua vulosi zemrat atyre që mohuan Allahun dhe të dërguarit e Tij më parë, po ashtu ia vulos edhe atyre që nuk të besuan ty, o Muhamed.

[17] Shumica e banorëve të atyre qyteteve që Ne shkatërruam dhe që treguam më sipër, nuk e zbatonin besëlidhjen e Allahut dhe porosinë eTij ditën kur i nxori nga palca e Ademit; si dhe nuk i bindeshin urdhrave të Allahut që ia komunikoi nëpërmjet të dërguarve të Tij.

[18] Të pabindur ndaj Allahut, që e shkelnin besën dhe porosinë e Tij.

[19] Të dërguarve që dërguam në popujt e mëparshëm që u përmendën më sipër.

[20] Nuk u përulën para provave dhe mrekullive që u solli Musai, ashtu si i takonte dhe si e meritonin, por i mohuan ato.

[21] Shiko, o Muhamed, si ishte përfundimi i atyre që bëjnë shkatërrime dhe çrregullime në Tokë; d.m.th. përfundimi i Faraonit dhe njerëzve të tij, të cilët mohuan provat dhe mrekullitë që u solli Musai (alejhis selam); që të gjithë ata u mbytën në det.

[22] Kur shkoi te Faraoni për ta ftuar në besim dhe bindje ndaj Allahut.

[23] Më ka dërguar një Dërgues i Madh, që është Zoti i botëve.

-163-


  1. E kam detyrë që të mos them për Allahun veçse të vërtetën.[1] Unë kam ardhur tek ju me provë të qartë nga Zoti juaj;[2] prandaj, lëri bijtë e Izraelit të vijnë me mua!”
  2. Faraoni tha: “Nëse ke ardhur me ndonjë provë,[3] atëherë tregoje, nëse je i sinqertë.”
  3. Atëherë, ai (Musai) hodhi shkopin e tij, dhe papritmas ai bë gjarpër i qartë![4]
  4. Pastaj nxori dorën e tij, veç kur ajo ishte e bardhë (me shkëlqim) për ata që shikonin.[5]
  5. Paria e popullit të Faraonit tha: “Ky qenka vërtet një magjistar i ditur,[6]
  6. i cili kërkon t’ju nxjerrë nga Toka juaj!”[7] -“Atëherë, çfarë këshilloni?” (-tha Faraoni).[8]
  7. Ata thanë:[9] “Shtyje çështjen e tij dhe të vëllait të tij,[10] dhe dërgo nëpër qytete mbledhës,[11]
  8. që të të sjellin çdo magjistar të ditur.”[12]
  9. Magjistarët erdhën te Faraoni, dhe thanë: “Është e vërtetë që për ne ka një shpërblim, nëse do të jemi ne fituesit?”[13]
  10. Faraoni tha: “Po, dhe për më tepër, do të jeni nga ata që janë më afër meje.”[14]
  11. Ata (magjistarët) thanë: “O Musa! Ose hidh ti (shkopin tënd), ose të hedhim ne të parët (shkopinjtë tanë)!”
  12. Ai (Musai) tha: “Hidhni ju!” Kur ata hodhën,[15] i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe.[16]
  13. Atëherë Ne i frymëzuam Musait: “Hidhe shkopin tënd!” – dhe ai filloi të gllabëronte gjithçka që trilluan ata.[17]
  14. Pra, e vërteta u vërtetua dhe ajo që bënin ata u shfuqizua.[18]
  15. Kështu, ata (Faraoni dhe njerëzit e tij) u mundën pikërisht atje dhe u kthyen të poshtëruar.[19]
  16. Kurse magjistarët u përulën në sexhde,[20]

[1] Përderisa më ka dërguar një Dërgues i Madh, që është Zoti i botëve, unë nuk mund të them veçse të vërtetën që më shpall Ai, përndryshe do të më shpejtonte ndëshkimin me fuqinë e Tij; prandaj më besoni dhe më pasoni mua, që të shpëtoni.

[2] Që dëshmon vërtetësinë e asaj që them dhe që jam i dërguar nga Allahu tek ju.

[3] Që vërteton fjalën tënde.

[4] Gjarpër i vërtetë, i qartë për ata që e shihnin, i madh dhe i lëvizshëm.

[5] Nxori dorën nga xhepi apo nga rrobja me të cilën e kishte mbuluar, dhe ajo ishte e bardhë që shkëlqente, ndryshe nga duart normale që kanë një nga ngjyrat e ndryshme të lëkurës sipas rracave të ndryshme. Këto ishin dy prova dhe shenja të qarta që vërtetonin fjalët e Musait dhe se ai ishte vërtet i Dërguar nga Zoti i botëve.

[6] Që i mashtron njerëzit duke i bërë që të imagjinojnë sikur shkopi është gjarpër apo ngjyra e lëkurës së dorës sikur është e bardhë; ndryshe nga realiteti.

[7] Kërkon tju nxjerrë nga Egjipti me magjinë e tij – duke iu drejtuar Faraonit dhe njerëzve të tij.

[8] Faraoni i tha këshilltarëve të tij se çfarë këshillonin të bënte me Musain (alejhis selam).

[9] Paria dhe këshilltarët e Faraonit i thanë Faraonit.

[10] Shtyje çështjen e tyre duke i mbajtur të mbyllur apo të burgosur.

[11] Ushtarë apo policë të Faraonit, që do të mblidhnin magjistarët dhe do i sillnin te Faraoni.

[12] Që t’i sjellin Faraonit magjistarët më të ditur dhe më të mëdhenj të gjitha qyteteve; dhe ashtu bënë.

[13] Kundër Musait dhe Harunit (alejhimas selam).

[14] Duke i premtuar pasuri dhe vend të lartë tek ai, për t’i nxitur që të japin maksimumin e tyre me qëllim që të fitojnë mbi Musain dhe Harunin (alejhima selam).

[15] Shkopinjtë dhe litarët e tyre; dhe thuhet se ishin mbi 30 mijë magjistarë.

[16] Imagjinim, përfytyrim dhe iluzion të madh, me të cilin i frikësuan njerëzit e pranishëm, përfshirë edhe Musain dhe Harunin.

[17] Atëherë Musai (alejhis selam) e hodhin shkopin e tij, dhe ai u kthye në gjarpër të madh, i cili i gllabëroi të gjithë gjarpërinjtë dhe magjitë e tyre të falsifikuara.

[18] E vërteta fitoi dhe u bë e qartë për të gjithë ata që ishin të pranishëm; pra, Musai thoshte të vërtetën dhe ai ishte i dërguar nga Allahu për të ftuar njerëzit në rrugën e drejtë dhe fenë e vërtetë.

[19] U mundën nga Musai dhe e vërteta që ishte me të, dhe u kthyen të poshtëruar nga vendi ku ishin mbledhur.

[20] Për Allahun; kur panë se ajo që solli Musai nuk ishte magji, sepse ata e njihnin magjinë, por ishte diçka tjetër, ishte mrekulli dhe provë nga Allahu, kështu që u dorëzuan dhe iu nënshtruan menjëherë Allahut.

-164-


  1. dhe thanë: “Ne besuam në Zotin e botëve;[1]
  2. Zotin e Musait dhe të Harunit.”[2]
  3. Faraoni tha: “Ju i besuat atij para se t’ju jepja leje?![3] Padyshim, ky është një komplot që e keni përgatitur në qytet, me qëllim që të nxirrni prej tij banorët e tij! Por keni për ta parë![4]
  4. Do t’jua pres duart dhe këmbët këmbyerazi,[5] pastaj do t’ju kryqëzoj të gjithëve.”[6]
  5. Ata thanë: “Ne, me siguri, tek Zoti ynë do të kthehemi![7]
  6. Dhe ti nuk po hakmerresh ndaj nesh, veçse pse besuam në provat e Zotit tonë, posa na erdhën.[8] – Zoti ynë! Derdh mbi ne durim[9] dhe na merr jetën duke qenë myslimanë!”[10]
  7. Paria e popullit të Faraonit tha: “A do ta lejosh Musain dhe popullin e tij[11] që të shkaktojnë prishje në Tokë[12] dhe të braktisin ty dhe zotat e tu?”[13] Ai (Faraoni) tha: “Ne do t’i vrasim bijtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre;[14] sepse ne jemi nënshtrues të tyre.”[15]
  8. Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe bëni durim![16] Vërtet, toka është e Allahut dhe Ai ia trashëgon atë kujt të dojë prej robërve të Tij.[17] Dhe përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.”[18]
  9. Ata (populli i Musait) thanë: “Ne kemi vuajtur para se të na vish ti dhe po vuajmë edhe pasi na erdhe ti.”[19] Ai (Musai) tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta shkatërrojë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë zëvendës në Tokë;[20] dhe kështu do të shohë se si do të veproni.”[21]
  10. Dhe Ne i goditëm njerëzit e Faraonit me vite thatësire dhe mungesë të prodhimeve, se ndoshta do të kujtoheshin.[22]

[1] Besuam në atë që thotë Musai, dhe se Allahu që duhet të adhurojmë është Zoti i botëve, i Cili ka krijuar dhe zotëron njerëzit, xhinët dhe gjithçka që ekziston.

[2] Besuam në Zotin e Musait dhe të Harunit, i Cili është Zoti i vërtetë; dhe mohuam hyjnizimin e Faraonit.

[3] Ju i besuat Musait dhe pranuat që ai është i dërguar i Allahut, para se tju jepja leje që t’i besonit atij?!

[4] Se çfarë do të bëj me ju, meqenëse keni kompletuar kundër meje dhe popullit tim. Faraoni ishte diktator dhe urdhri i tij nuk diskutohej, madje askush nuk mund të shfaqte diçka që ai nuk e pëlqente, prandaj populli e kishte frikë, dhe ky veprim i magjistarëve që besuan haptas, ishte një kurajo vërtet e madhe prej tyre, që shtyhej nga besimi i vërtetë.

[5] Do ju pres njërën dorë dhe njërën këmbë; dorën e djathtë dhe këmbën e majtë, ose dorën e majtë dhe këmbën e djathtë, të këmbyera.

[6] Faraoni u zemërua kaq shumë dhe mori këtë vendim për shkak të poshtërimit që iu bë atij nga Allahu dhe fitores së Musait (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!) ndaj tij.

[7] Herët a vonë, dhe do të marrim shpërblimin për besimin dhe sakrifikimin tonë, kështu që nuk trembemi nga dënimi yt, o Faraon!

[8] Sepse e pamë që ato janë prova dhe argumente të qarta nga Zoti i botëve, dhe nuk janë vepër e njeriut të pafuqishëm dhe të mangët, siç je ti, o Faraon!

[9] Që të mos kthehemi kurrë në mosbesim, pavarësisht torturave të Faraonit!

[10] Të nënshtruar vetëm ndaj Teje dhe si pasues të dërguarit Tënd, Musait (alejhis selam); Dhe Allahu ua plotësoi lutjen atyre.

[11] Prej bijve të Izraelit.

[12] Duke i ftuar njerëzit në besimin në Një Zot, në moralet dhe veprat e mira; që janë rregullim në Tokë; kurse prishja dhe çrregullimi në Tokë është rruga që ndjek Faraoni dhe njerëzit e tij, por ata i përmbysin gjërat.

[13] Dhe kështu nuk do të jenë më shërbëtoët dhe skllevërit e tu.

[14] Dhe kështu nuk do të shtohen në numër, dhe do t’i mbajmë më lehtë nën kontroll dhe nën shërbimin tonë.

[15] I kemi nënshtruar me forcë dhe ata nuk mund të dalin nga bindja ndaj nesh, sepse nuk kanë fuqi dhe mundësi që ta bëjnë këtë.

[16] Kërkoni ndihmë nga Allahu kundër padrejtësive dhe tiranive të Faraonit dhe njerëzve të tij ndaj jush, dhe bëni durim për dëmet që ju shkakton Faraoni në veten dhe fëmijët tuaj.

[17] Dhe ndoshta Allahu jua trashëgon Tokën juve, nëse duroni ndaj dëmeve të Faraonit.

[18] Të cilët ruajnë Allahun dhe i frikësohen Atij, duke zbatuar udhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij.

[19] Vuajtën nga Faraoni para ardhjes së Musait si i Dërguar i Allahut, në kohën kur Faraoni vriste të posalindurit e tyre prej djemve ne kohën kur lindi edhe Musai (alejhis selam), siç është përmendur më parë në interpretimin e ajetit 49, nga surja El Bekare. Po kështu, pas triumfit mbi magjistarët, Faraoni vendosi të përsërisë dënimin e mëparshëm me vrasjen e fëmijëve meshkuj. Është përmendur më parë se populli i Musait ishte vërtet shumë i vështirë, i pabindur dhe që ankohej shumë.

[20] Ndoshta Allahu e shkatërron armikun tuaj, Faraonin dhe njerëzit e tij, dhe ju bën vend në Tokë, që të mos i frikësoheni askujt prej njerëzve të Tokës.

[21] Nëse do e falënderoni Allahun apo do e mohoni mirësinë e Tij ndaj jush.

[22] Do të merrnin mësim dhe do të ktheheshin te Zoti i tyre me pendim, pasi e panë që Ai mund t’i dënojë ata kur të dojë dhe me çfarë të dojë.

-165-


  1. Por sa herë që u vinte e mira,[1] ata thonin: “Kjo na takon neve!” E kur i godiste ndonjë e keqe,[2] atë e merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe ata që ishin me të.[3] Por jo! Oguri i tyre ishte tek Allahu,[4] por shumica e tyre nuk e dinin!
  2. Ata i thanë (Musait): “Çfarëdo prove që të na sjellësh për të na magjepsur me të,[5] ne nuk do të të besojmë.”
  3. Kështu, Ne u dërguam atyre përmbytjen, karkalecat, morrat, bretkosat dhe gjakun, si prova të qarta njëra pas tjetrës,[6] por ata bënin mendjemadhësi dhe ishin popull keqbërës.[7]
  4. E kur i zbriste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, me atë që të ka besuar![8] Nëse na e largon këtë dënim, ne, me siguri që do të të besojmë ty[9] dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të vijnë me ty.”[10]
  5. Por, kur e larguam dënimin deri në një afat që ata do e arrinin,[11] ata përsëri e thyen premtimin.[12]
  6. Kështu, Ne u hakmorëm ndaj tyre[13] dhe i fundosëm në det,[14] sepse ata i mohuan provat Tona dhe ishin të pakujdesshëm ndaj tyre.[15]
  7. Ndërsa popullit që kishte qenë i shtypur,[16] Ne i trashëguam rajonet lindore dhe perëndimore të Tokës që kishim bekuar.[17] Kështu, premtimi i mirë i Zotit tënd ndaj bijve të Izraelit u përmbush, për shkak të durimit që treguan.[18] Ndërsa ato që prodhonte Faraoni dhe populli i tij, dhe ato që ndërtonin ata Ne i shkatërruam.[19]

[1] Gjatë viteve të thatësirës; kur iu vinte ndonjë shi apo shtim i përkohshëm i prodhimeve.

[2] Thatësirë apo fatkeqësi.

[3] Vetëm e vetëm që të mos pranonin që ai ishte ndëshkim dhe sprovë nga Allahu, me qëllim që të besonin dhe të ktheheshin tek Ai me pendim.

[4] Qoftë fati i mirë apo i keq, është në dorë të Allahut dhe me caktimin e Tij, me qëllim të provimit të tyre; madje veprat e tyre të këqia dhe mosbesimi i tyre ishte shkak për fatin e tyre të keq, por shumica e tyre nuk e dinin, prandaj thonin atë që thonin.

[5] Duke na bërë magji me qëllim që të na largosh nga feja e Faraonit, i cili e quante veten “zot”.

[6] Këto ishin nga mrekullitë që Allahu i dha Musait (alejhis selam) kundër Faraonit dhe njerëzve të tij; përmbytjen me shi, karkalecat që u shkatërruan të mbjellat, morrat që i shkaktonin kërruajtje të forta dhe nuk i linin të flinin e të jetonin qetë, bretkosat që i mbushën shtëpitë e tyre dhe iu futeshin në gojë, dhe gjakun në ujin e tyre që pinin dhe që vadisnin, pra edhe lumenjtë u kthyen ne gjak. Këto mrekulli dhe këto prova erdhën njëra pas tjetrës; kur erdhi përmbytja, Faraoni i kërkoi Musait që t’i lutej Zotit të tij që ta largonte atë, dhe kështu ai do i besonte Musait dhe do i lejonte bijtë e Izraelit të shkonin me të. Por me largimin e përmbytjes dhe largimin e rrezikut, Faraoni nuk e mbante fjalën dhe rikthehej në mosbesim. Atëherë vinte një provë tjetër me qëllim që ai të kthehej, por përsëri ai kërkonte nga Musai që t’i lutej Zotit ta largonte atë fatkeqësi, duke i premtuar se do të besonte, por kur Allahu e largonte fatkeqësinë, Faraoni dhe njerëzit e tij e mohonin përsëri Zotin dhe Musain me mendjemadhësi dhe kryeneçësi.

[7] Vepronin vepra që Allahu i urrente, prej mëkateve dhe shthurjes, me mendjemadhësi dhe arrogancë.

[8] Meqenëse të ka besuar shpalljen e Tij dhe të ka dërguar tek ne.

[9] Që je i dërguar i Zotit.

[10] Që të shkoni nga të doni.

[11] Kur e larguam dënimin për herë të fundit – që ishte gjaku – deri në një afat të caktuar, dhe jo përgjithmonë.

[12] Që i kishin dhënë Musait; se do ta besonin atë dhe do i lejonin bijtë e Izraelit të shkonin me të.

[13] Kur u erdhi afati i caktuar nga Allahu.

[14] Faraonin dhe ushtrinë e tij; kur ndoqën nga pas Musain dhe bijtë e Izraelit, dhe Allahu hapi detin për të kaluar Musai dhe populli i tij, dhe mbyti në det Faraonin dhe ushtrinë e tij.

[15] I mohuan të gjitha provat dhe mrekullitë që Allahu ua solli atyre nëpërmjet Musait, dhe ishin të pavëmendshëm dhe shpërfillës të ndëshkimit që i priste për shkak të mohimit dhe arrogancës së tyre.

[16] Nga Faraoni dhe njerëzit e tij; bijtë e Izraelit, populli i Musait (alejhis selam).

[17] Allahu u trashëgoi bijve të Izraelit tokën e Levantit, pasi asgjësoi gjigandët që e banonin atë; dhe Allahu e kishte bekuar atë Tokë me të mira dhe begati të përhershme për banorët e saj.

[18] Premtimi i bukur që Allahu u kishte dhënë bijve të Izraelit nëse do të duronin, ishte që t’i bënte vend në Tokë dhe t’i jepte fitoren ndaj armikut të tyre që i kishte skllavëruar, Faraonit; siç do ta shohim në suren El Kasas, 5-6].

[19] I shkatërruam prodhimet dhe ndërtimet madhështore të Faraonit dhe popullit të tij, dhe askush nuk përfitonte më prej tyre.

-166-


  1. Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit,[1] dhe ata hasën disa njerëz që adhuronin disa idhuj të tyre.[2] Atëherë thanë: “O Musa! Na bëj edhe neve një idhull që ta adhurojmë, ashtu si kanë ata idhuj!” Musai tha: “Ju jeni vërtet një popull injorant![3]
  2. E shkatërruar është ajo në të cilën ata ndodhen,[4] dhe e pavlefshme është çdo gjë që ata bëjnë.”[5]
  3. Pastaj (Musai) tha: “A të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut,[6] i Cili ju ka ngritur mbi gjithë të tjerët?!”[7]
  4. Dhe (kujtoni)[8] kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, të cilët ju mundonin me mundimin më të keq – duke vrarë djemtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Dhe kjo ishte një sprovë e madhe nga Zoti juaj.[9]
  5. Ne e takuam Musain për tridhjetë net rresht,[10] pastaj i plotësuam ato edhe me dhjetë të tjera,[11] dhe kështu, takimi me Zotin e tij zgjati dyzet net të plota. Musai i tha vëllait të vet,[12] Harunit: “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull[13] dhe mos ndiq rrugën e prishësve!”[14]
  6. Kur Musai erdhi në takimin Tonë, dhe Zoti i tij foli me të,[15] ai tha: “Zoti im! Më mundëso që të të shoh!”[16] Ai (Allahu) tha: “Ti nuk mund të më shohësh![17] Por shiko në atë mal; nëse ai do të qëndrojë në vend, atëherë do të më shohësh.” E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e bëri atë pluhur,[18] ndërsa Musai ra pa ndjenja.[19] Kur erdhi në vete, ai tha: “I lartësuar je Ti![20] Kthehem te Ti i penduar[21] dhe unë jam i pari i besimtarëve!”[22]

[1] Duke i shpëtuar ata nga Faraoni dhe duke i bërë të shohin mrekulli të mëdha, nga të cilat edhe hapja e detit dhe kalimi në anën tjetër të tij.

[2] Qëndronin rreth tyre dhe i adhuronin e i luteshin.

[3] I kërkuan Musait që t’i caktonte një idhull që ta adhuronin në vend të Allahut, megjithëse kishin parë prova dhe mrekulli të mëdha nga Allahu në duart e Musait (alejhis selam); por vërtet ata ishin një popull që e injoronin madhështinë e Allahut dhe të drejtën e Tij mbi ta; dhe injoronin se adhurimi nuk lejohet t’i dedikohet askujt tjetër përveç Allahut, Zotëruesit të qiejve dhe Tokës.

[4] Idhujtaria dhe feja e tyre është e shkatërruar dhe e humbur, dhe i çon ata në dënim të dhembshëm dhe poshtërues.

[5] Adhurimi që ata i bëjnë idhujve është i pavlerë në vetvete dhe i padobishëm për ata, sepse ato idhuj, statuja apo pemë, janë krijesa të Allahut që nuk meritojnë të adhurohen, dhe nga ana tjetër, adhurimi dhe lutja e tyre nuk mund ta largojë dënimin e Allahut nga idhujtarët dhe nuk mund t’i shpëtojë ata nga zjarri në botën tjetër.

[6] Idhull që ta adhuroni në vend të Allahut.

[7] Ndërsa Allahu ju ka ngritur mbi të gjithë njerëzit e kohës suaj, dhe është vetëm Ai që duhet të falënderoni dhe të adhuroni, dhe jo të kërkoni adhurimin e idhujve që nuk ju bëjnë as dëm as dobi; a ka injorancë dhe humbje më të madhe se kjo?!

[8] O bijtë e Izraelit!

[9] Sprovë me shpërblim të madh.

[10] Për t’i shpallur atij Librin e shenjtë, Teuratin, si plotësim i mirësive të Allahut ndaj bijve të Izraelit.

[11] Thuhet se 30 netët ishin muaji Dhul Kaade, kurse 10 netët plotësuese ishin nga muaji Dhul Hixhe.

[12] Para se të shkonte në takimin me Zotin.

[13] Duke i urdhëruar që t’i binden Allahut dhe të adhurojnë vetëm Atë.

[14] Mos shko pas atyre që bëjnë prishje dhe çrregullime të Tokë; që thyejnë urdhrat e Allahut dhe që përkrahin mëkatarët.

[15] I shpalli Librin dhe i tregoi urdhrat dhe ndalesat e Tij.

[16] Kur dëgjoi zërin e Allahut dhe fjalët e Tij, Musai ndjeu një ndjesi të fortë përmallimi, dhe i kërkoi Allahut që t’i mundësonte ta shihte Atë direkt dhe pa perde.

[17] Askush nuk mund ta shohë Allahun në këtë botë, për një urtësi që e di Allahu, dhe fiziku i askujt nuk është krijuar që të mund ta përballojë shikimin e Allahut në mënyrë direkte, përndryshe vdes dhe shkatërrohet; kurse në botën tjetër, vetëm besimtarët që do të jenë në Xhenet do ta shohin Zotin e tyre në mënyrë direkte dhe pa perde. Allahu na bëftë prej tyre!

[18] Sepse as mali dhe asnjë krijesë nuk mund ta përballojë shikimin e Allahut dhe nuk mund të qëndrojë para Dritës së Tij në këtë botë.

[19] Kur pa që mali u bë pluhur vetëm se iu shfaq një pjesë shumë e vogël e Dritës së Zotit të Gjithësisë.

[20] I Pastër nga çdo e metë dhe i Madhëruar je Ti, o Zot!

[21] Për atë që kërkova të të shoh, dhe nga të gjitha mëkatet!

[22] Nga populli im; që të besova Ty dhe besova se askush nuk mund të të shohë në këtë botë, përndryshe vdes.

-167-


  1. Ai (Allahu) tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të gjithë njerëzit – me shpalljet e Mia[1] dhe të Folurin Tim (të drejtpërdrejtë).[2] Prandaj, merre atë që të dhashë dhe bëhu prej mirënjohësve!”[3]
  2. Ne i shkruam atij (Musait) në Pllaka nga çdo gjë,[4] si këshillë dhe shpjegim për gjithçka;[5] (Dhe i thamë): “Merri këto me vendosmëri dhe urdhëroje popullin tënd që t’i marrë ato në mënyrën më të mirë.[6] Unë do t’jua tregoj vendbanimin e të pabindurve.[7]
  3. Do t’i largoj nga argumentet e Mia[8] ata që sillen me mendjemadhësi në Tokë pa asnjë të drejtë,[9] kështu që edhe nëse do të shohin çdo provë,[10] nuk do ta besojnë atë;[11] dhe nëse do të shohin rrugën e drejtë, nuk do ta ndjekin atë;[12] por nëse do të shohin rrugën e gabuar, do ta ndjekin atë,[13] sepse ata i përgënjeshtruan provat Tona dhe ishin të pavëmendshëm ndaj tyre.[14]
  4. Atyre që përgënjeshtrojnë provat Tona dhe takimin e botës tjetër,[15] do t’u zhvlerësohen veprat.[16] A mund të shpërblehen ndryshe, veçse sipas veprave që kanë bërë?![17]
  5. Populli i Musait, pas largimit të tij,[18] bënë një viç nga stolitë e tyre; një statujë që nxirrte një zë si pëllitje.[19] A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?![20] Ata e morën atë viç për zot dhe ishin të padrejtë.[21]
  6. Por, kur i pushtoi keqardhja[22] dhe e kuptuan se kishin humbur rrugë,[23] ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi prej të humburve!”[24]

[1] Të kam zgjedhur të dërguarin Tim te njerëzit që t’u komunikosh atyre shpalljet e Mia.

[2] Të kam zgjedhur gjithashtu veçanërisht ty nga të gjithë njerëzit me të folurin Tim të drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetës; një veçori që Allahu ia ka dhënë vetëm Musait në mesin e të gjithë vëllezërve të tij të dërguar të Allahut.

[3] Merr me kënaqësi ato që të dhashë prej urdhrave dhe ndalesave të Mia, zbatoi ato në mënyrën më të mirë, dhe bëhu prej mirënjohësve dhe falënderuesve të Allahut për veçoritë dhe mirësitë që të ka dhënë.

[4] Diçka nga çdo gjë; që të kujton dhe të mëson madhështinë e Allahut dhe fuqinë e Tij.

[5] Si këshillë për popullin e tij dhe sqarim të gjithçkaje prej urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

[6] Ti zbatojë ato që thuhen në Pllaka – d.m.th. në Teurat – në mënyrën më të mirë dhe më të plotë.

[7] Në zjarrin e xhehenemit, në botën tjetër, për shkak të mohimit të Musait, idhujtarisë dhe mëkateve të tyre; ose mund të jetë për qëllim vendbanimi i mosbesimtarëve gjigantë që ishin në atë kohë në Levant, në Tokën e premtuar të bijve të Izraelit; se si i shkatërroi Allahu ata dhe si i la banesat e tyre argument për ata që do vinin më pas.

[8] Do bëj të mos i kuptojnë.

[9] Sillen me mendjemadhësi ndaj besimit në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, dhe ndaj nështrimit ndaj urdhrave dhe ndalesave të Allahut, megjithëse janë robër të Allahut që ushqehen dhe jetojnë nga mirësitë e Tij.

[10] Çdo provë që vërteton se Allahu është Një dhe i Pashoq, dhe se asnjë krijesë nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet në vend të Allahut apo përkrah Tij.

[11] Por do të thonë se është magji dhe mashtrim.

[12] Edhe nëse e shohin rrugën e drejtë që të çon në kënaqësinë dhe lumturinë e përhershme, dhe që të shpëton nga shkatërrimi dhe vuajtja e përhershme, nuk e ndjekin atë rrugë, nga injoranca dhe mendjemadhësia e tyre.

[13] Nëse shohin rrugën e shkatërrimit dhe të humbjes, e marrin atë dhe e bëjnë rrugë të tyren.

[14] I përgënjeshtruan provat e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, dhe u treguan të pakujdesshëm ndaj tyre duke mos menduar rreth tyre dhe duke mos marrë mësim prej tyre, kështu që merituan ndëshkimin e Allahut dhe humbjen.

[15] Kushdo qofshin dhe në çdo kohë që të jetojnë.

[16] Do t’u bëhen të pavlefshme dhe do të jenë barrë për ta, sepse ata nuk i bënë ato vepra për Hir të Allahut dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij, por i bënë për të plotësuar dëshirat dhe kënaqësitë e tyre dhe për shejtanin dhe idhujt e tyre.

[17] Në zjarrin e xhehenemit ku do të jenë përgjithmonë; sepse veprat e tyre ishin në bindje ndaj djallit dhe jo në bindja ndaj Allahut.

[18] Në takimin me Allahun, nga fundi i atyre 40 netëve të takimit.

[19] Kur panë që Musai u vonua më shumë se 30 netë në takimin me Allahun, siç i kishte njoftuar para largimit, një burrë nga Samura, i cili shfaqte besimin por fshehte mosbesimin, e mashtroi popullin e Musait duke i kërkuar atyre disa stoli prej ari që i kishin marrë nga Egjipti, të cilat i shkriu dhe i dha formë viçi, mbi të cilin hodhi ca pluhur që e kishte ruajtur nga gjurmët e engjëjve të cilët hapën detin dhe mbytën Faraonin dhe ushtrinë e tij, dhe atëherë ai viç prej ari lëshoi një zë si pëllitje e lopës; dhe i urdhëroi bijtë e Izrailit që ta adhuronin atë; dhe ata e adhuruan.

[20] Si mund ta adhuronin diçka që nuk mund t’iu fliste, t’i udhëzonte, t’i sillte ndonjë dobi apo t’iu largonte ndonjë të keqe; si mund të adhuronin një statujë në vend të Allahut, Krijuesit dhe Shpëtuesit të tyre nga Faraoni, i Cili i zgjodhi ata në mesin e njerëzve të kohës së tyre; A mund ta bënte këtë dikush që ka logjikë?! Kurse Zoti i vërtetë i Musait dhe i tyre, i foli Musait drejtpërdrejt.

[21] Ndaj vetes së tyre; sepse do të marrin ndëshkimin e rëndë për shkak të adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut dhe hyjnizimit të diçkaje tjetër përveç Allahut.

[22] Kur erdhi Musai dhe i bëri të qartë humbjen e tyre me adhurimin e viçit, ata u penduan për atë që kishin bërë dhe iu dorëzuan Musait dhe gjykimit të tij kundrejt tyre.

[23] Kur kuptuan që ishin larguar nga feja e Allahut, kishin mohuar Allahun dhe i kishin bërë shok Atij.

[24] Prej atyre që i janë zhvlerësuar dhe fshirë të gjitha veprat e mira, dhe si rezultat do të humbim këtë botë dhe botën tjetër.

-168-


  1. Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i hidhëruar,[1] tha: “Sa keq më paskit zëvendësuar gjatë mungesës sime![2] A donit të paraprinit çështjen e Zotit tuaj?”[3] Pastaj i hodhi Pllakat[4] dhe e kapi vëllanë (Harunin) për koke (prej flokësh), duke e tërhequr nga vetja.[5] Ai (Haruni) i tha: “O djali i nënës sime![6] Në të vërtetë, këta njerëz më shtypën dhe gati më mbytën,[7] prandaj mos bëj që armiqtë të ngazëllohen me mua dhe mos më llogarit ndër njerëzit e padrejtë!”[8]
  2. Atëherë[9] ai (Musai) tha: “Zoti im! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na fut në mëshirën Tënde![10] Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.”[11]
  3. Me të vërtetë, ata që morën viçin (për zot), do t’i zërë zemërim nga Zoti i tyre dhe poshtërim në jetën e kësaj bote.[12] Kështu i ndëshkojmë Ne trilluesit.[13]
  4. Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija,[14] pastaj pendohen dhe besojnë,[15] me të vërtetë, Zoti yt pas kësaj është Falës dhe Mëshirëplotë.[16]
  5. Kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat,[17] në mbishkrimet e të cilave kishte udhëzim dhe mëshirë[18] për ata që i frikësohen Zotit të tyre.[19]
  6. Dhe Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë.[20] Kur ata i goditi dridhja,[21] ai tha: “Zoti im! Sikur të doje, do t’i kishe zhdukur që më parë, ata dhe mua.[22] A do të na shkatërrosh për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?![23] Ajo ishte një sprovë nga Ti,[24] me të cilën Ti çon në humbje kë të duash dhe udhëzon kë të duash.[25] Ti je Ndihmuesi ynë, prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i atyre që falin![26]

[1] Allahu e kishte njoftuar Musain se populli i tij ishte sprovuar me adhurimin e viçit dhe se Samiriu i kishte çuar ata në humbje, kështu që Musai u kthye i zemëruar dhe i hidhëruar para se t’i shihte me sytë e vet që ata adhuronin viçin.

[2] Sa keq keni vepruar me amanetin tim gjatë mungesës sime; me fenë dhe urdhrat e Allahut.

[3] Allahu ju kishte premtuar zbritjen e Librit, Teuratit, gjatë takimit me mua, kurse ju donit ta paraprinit atë me mendjen dhe veprën tuaj të prishur dhe të shëmtuar!

[4] Nga zemërimi i madh ndaj popullit të tij që adhuruan viçin, Musa ii hodhi Pllakat e Teuratit në tokë, për t’i marrë përsëri pas pak çastesh.

[5] Nga zemërimi që kishte edhe ndaj tij përse nuk i kishte ndaluar bijtë e Izraelit të adhuronin viçin dhe përse kishte vazhduar të qëndronte me ta kur e bënë atë vepër.

[6] I kujtoi që janë vëllezër të një nëne, megjithëse ata janë vëllezër të një babe e të një nëne, por Haruni i kujtoi nënën Musait në ato çaste me qëllim që të prekej dhe të zbutej më shpejt, dhe t’a linte të thoshte atë që kishte ndodhur.

[7] Kur unë i ndalova nga adhurimi i viçit me të cilin u sprovuan.

[8] Sepse unë nuk jam prej tyre, nuk i kam shkuar kurrë mbas, madje i ndalova ata, dhe nuk e kam thyer kurrë urdhrin tënd dhe urdhrin e Allahut.

[9] Kur e pa që vëllai i tij, Haruni ishte i pafajshëm dhe nuk kishte neglizhuar aspak në detyrën që kishte, Musai u pendua që u nxitua në sjelljen ndaj tij, kështu që menjëherë ngriti duart nga qielli dhe i kërkoi Allahut falje për vete dhe për vëllanë e tij.

[10] Na fut në mes të mëshirës tënde, në atë mënyrë që mëshira Jote të na rrethojë nga çdo anë.

[11] Më i mëshirshëm ndaj nesh se çdokush tjetër; se nëna apo babai, fëmijët apo vetet tona.

[12] Ata u ndëshkuan me vrasje të njëri-tjetrit që të mund t’u falej vepra që bënë me adhurimin e viçit, dhe ky ishte poshtërimi i tyre në këtë botë.

[13] Kështu si poshtëruam këta që adhuruan viçin, që mohuan Allahun dhe dezertuan nga feja e tyre, po kështu i poshtërojmë të gjithë ata që trillojnë gënjeshtër ndaj Allahut dhe marrin zota të tjerë për t’i adhuruar në vend të Allahut, pasi që e kishin pranuar Njësimin e Allahut dhe pasi kishin besuar në Allahun dhe në të dërguarit e Tij.

[14] Qofshin të mëdha apo të vogla, madje edhe mohim apo shokvënie Allahut, siç bënë ata që adhuruan viçin nga populli i Musait.

[15] Pendohen sinqerisht për veprat e tyre të këqia dhe besojnë Allahun dhe gjithçka që Ai ka urdhëruar të besohet dhe të veprohet.

[16] I falë të gjitha gjynahet dhe mëkatet dhe e pranon pendimin me mëshirën e Tij.

[17] Pasi i kaloi zemërimi, dhe e kapi veten, Musai (alejhis selam) filloi me gjënë më të rëndësishme që kishte: marrjen e Pllakave që hodhi, të cilat ishin shumë të rëndësishme dhe madhështore, sepse ishin nga Allahu dhe ishin Shpallja dhe Libri i Allahut për të dhe bijtë e Izraelit.

[18] Udhëzim në rrugën e drejtë të Allahut, sqarim i të vërtetës nga e pavërteta dhe i veprave të mira nga ato të këqia, dhe gjithçka që i duhej bijve të Izraelit për këtë botë dhe për botën tjetër, si mëshirë nga Allahu për ata që i besojnë dhe i zbatojnë ato.

[19] Vetëm ata që i frikësohen Allahut dhe takimit me Të përfitojnë nga udhëzimi dhe mëshira e Allahut, ndërsa ata që nuk i frikësohen Allahut dhe takimit me Të, iu shtohet arroganca dhe mendjemadhësia, dhe këto Pllaka dhe Shpallje të Allahut janë argument kundër tyre, për lënien e të cilave do të marrin dënimin në këtë botë dhe në botën tjetër.

[20] Musai zgjodhi 70 besimtarët më të mirë nga populli i tij, për takimin që i kishte premtuar Allahu, pas adhurimit të viçit, me qëllim që të kërkojnë falje dhe ndjesë për popullin e tyre që adhuroi viçin.

[21] Vdiqën nga dridhja e fortë dhe vetëtima, kur i kërkuan Musait që të shohin Allahun drejtpërdrejt.

[22] Kur të zgjedhurit vdiqën të gjithë, Musai iu lut Allahut me përgjërim që t’i ringjallte ata, duke i thënë se çfarë mund t’i thoshte bijve të Izraelit për vdekjen e më të zgjedhurve dhe më të mirëve prej tyre. Atëherë Allahu i ringjalli ata.

[23] Të cilët nuk kanë logjikë dhe mendje që t’i ndalonte nga lajthitja e tyre në adhurimin e viçit.

[24] Çështja e viçit prej arid he adhurimi i tij.

[25] Udhëzimi është vetëm në dorë të Allahut, dhe Ai udhëzon kë të dojë dhe humb kë të dojë.

[26] Ti je më i Miri që fal dhe mbulon mëkatet tona.

-169-


  1. Na cakto të mira në këtë botë[1] dhe në botën tjetër,[2] sepse vërtet, ne jemi kthyer tek Ti!”[3] Ai (Allahu) tha: “Ky është dënimi Im,[4] me të cilin godas kë të dua, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.[5] Unë do ua jap atë (mëshirën e posaçme) atyre që ruhen,[6] që japin zeqatin, dhe që besojnë në provat Tona;[7]
  2. Atyre[8] që ndjekin të Dërguarin, Profetin që nuk di shkrim e lexim,[9] të cilin e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill;[10] Ai i urdhëron ata për mirë dhe i ndalon nga e keqja;[11] u lejon të gjitha të mirat[12] dhe u ndalon të këqijat;[13] dhe heq nga ata barrët e rënda dhe prangat që kanë pasur.[14] Kështu, ata që e besojnë atë (Muhamedin),[15] që e nderojnë,[16] që e ndihmojnë,[17] dhe që ndjekin dritën që ka zbritur me të,[18] pikërisht ata janë të fituarit.”[19]
  3. Thuaj (o Muhamed): “O njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju; [20] të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës.[21] Nuk ka hyjni tjetër përveç Tij;[22] Ai jep jetë dhe vdekje,[23] prandaj besoni në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim, i cili beson në Allahun dhe Fjalët e Tij; dhe pasojeni atë, që të udhëzoheni në rrugën e drejtë!”[24]
  4. Nga populli i Musait ka pasur disa njerëz që udhëzoheshin me të vërtetën dhe me të mbanin drejtësi.[25]

[1] Dije të dobishme, kryerjen e veprave të mira dhe begati e bollëk.

[2] Faljen e mëkateve dhe shpërblimin që i ke premtuar besimtarëve vepërmirë.

[3] Ne kthehemi tek Ti të penduar. Deri këtu ishte lutja e Musait (alejhis selam).

[4] Dënimi me të cilin godita popullin tënd; dridhja e fortë dhe vdekja e 70 të zgjedhurve nga populli i Musait.

[5] Të mirë e të keq, sepse që të gjithë me mëshirën e Allahut ekzistojnë dhe jetojnë; por mëshira e veçantë, që përfshin lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër, është posaçërisht për të devotshmit, siç thuhet në vazhdim të ajetit.

[6] Nga idhujtaria dhe mohimi, nga gjynahet e mëdha e të vogla; ata janë populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[7] Në argumentet dhe shpalljet e Allahut, nga të cilat është edhe besimi dhe pasimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në të gjitha bazat e fesë dhe degët e saj.

[8] Do ia jap mëshirën Time të posaçme atyre që ndjekin të Dërguarin Muhamed, nga çdo kombësi që të jenë; këtu përfshihen edhe vetë pasardhësit e izraelitëve, madje fjala duket se i drejtohet atyre, që kur të vijë profeti Muhamed, ta besojnë dhe ta pasojnë atë bashkë me popullin e tij arab, në mënyrë që të vazhojnë të jenë besimtarë dhe të përfshihen në mëshirën e Allahut.

[9] Ai është Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[10] E gjejnë Muhamedin të shënuar në Teurat dhe Inxhil me emrin dhe cilësitë e tij, nga të cilat urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja… Ajetet i drejtohen bijve të Izraelit, kështu që besimi në Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është kusht që ata të quhen besimtarë, sepse vetëm ata që e besojnë Muhamedin dhe që e pasojnë atë, vetëm ata do i përfshijë mëshira e posaçme e Allahut.

[11] I urdhëron pasuesit e tij për të besuar Allahun dhe për t’iu bindur Atij në gjithçka urdhëron, dhe i ndalon nga idhujtaria dhe ndalesat e Allahut.

[12] Ushqimet e mira dhe të padëmshme; bagëtitë që i ndalonin idhujtarët e Mekës, për të cilat u fol në suren El En’am.

[13] Gjërat e këqia dhe të dëmshme për shëndetin, si mishi i derrit, e ngordhta, gjaku; apo që janë të dëmshme për ekonominë, si kamata, vjedhja, mashtrimi në tregti; dhe çdo gjë e keqe që Allahu e ka ndaluar.

[14] Për shkak të mohimit dhe mosbindjes së bijve të Izraelit ndaj Musait (alejhis selam), atyre iu vështirësuan dhe iu rënduan shumë ligje dhe rregulla si ndëshkim për ta, por kur erdhi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), Allahu i hoqi ato ligje dhe rregulla të rënda dhe solli lehtësim për besimtarët; kështu që ata Izraelitë që do e besojnë dhe do e pasojnë Muhamedin, nuk do i kenë më mbi shpinë ato barra të rënda dhe vështirësi e pranga që kanë pasur më parë në ligjin e Musait (alejhis selam).

[15] Ata që e besojnë dhe e pranojnë se Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i Dërguari i Allahut.

[16] E respektojnë, e madhërojnë dhe e mbrojnë me vetet e tyre.

[17] E përkrahin kundër armiqve të tij.

[18] Kuranin dhe Islamin.

[19] Që do të arrijnë fitoren, shpëtimin dhe shpërblimin e Allahut; kurse të gjithë të tjerët janë të humburit në këtë botë dhe në botën tjetër.

[20] I drejtohet të gjithë njerëzve të botës, në çdo vend dhe në çdo kohë, arab dhe jo-arab, ithtarë të Librave të mëparshëm dhe të tjerë; që kur Allahu i shpalli atij Kuranin deri në ditën e Kiametit; ndryshe nga të dërguarit para tij që dërgoheshin posaçërisht te popujt e tyre.

[21] Unë jam i Dërguari i Allahut, të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe mbajtja e drejtimi i tyre.

[22] Nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një e të Pashoq; dhe mënyra e adhurimit të Tij nuk mësohet veçse nga të Dërguarit e Tij.

[23] Dhe askush e asgjë tjetër përveç Tij nuk mund të japë jetë apo vdekje, kështu që si mund të adhuroni gjëra të tjera në vend të Allahut?!

[24] Dhe të jeni të fituarit në këtë botë dhe në botën tjetër.

[25] Jo i gjithë populli i Musait ishte i pabindur dhe me cilësitë e përmendura më sipër, por kishte prej tyre një grup, që ishin të udhëzuar dhe udhezonin të tjerët e mbanin drejtësi me të vërtetën që thuhej në Teurat; vepronin sipas të vërtetës, ftonin në të vërtetën, dhe gjykonin mes njerëzve dhe njëri-tjetrit me të vërtetën, pa i bërë padrejtësi askujt.

-170-


  1. Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë fise, si kombe të ndryshme.[1] Dhe i frymëzuam Musait kur populli i kërkoi ujë:[2] “Godite shkëmbin me shkopin tënd!”; dhe në çast prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime, ku secili grup e dinte burimin e vet.[3] Ne i bëmë retë hije për ta,[4] dhe u zbritëm lëngun e pemës[5] dhe thëllëzat, duke iu thënë: “Hani nga të mirat që ju kemi furnizuar!” Ata nuk na dëmtuan Neve,[6] por i bënin dëm vetvetes.
  2. (Kujto) Kur atyre iu tha: “Banoni në këtë qytet[7] dhe hani prej tij nga të doni; thoni: “Falje!”[8] dhe hyni në portën e tij të përkulur,[9] që t’jua falim gabimet. Punëmirëve Ne do t’ua shtojmë shpërblimin.”[10]
  3. Por ata që bënë padrejtësi mes tyre, e ndërruan atë me fjalë tjetër nga ajo që u ishte thënë.[11] Kështu që Ne u dërguam atyre një dënim nga qielli, për shkak të padrejtësisë që bënin.[12]
  4. Pyeti ata (O Muhamed!)[13] për qytetin që gjendej buzë detit – kur ata bënë shkelje në të shtunën[14] – sepse në ditën shtunë atyre u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin,[15] nuk u vinin. Kështu, Ne i sprovuam ata,[16] sepse ishin të pabindur.[17]

[1] Ku secili fis apo komb kishte profetin e vet; një nga pasardhësit e Israilit apo Jakubit (alejhis selam).

[2] Në kohën e atyre dyzet viteve që silleshin të çoroditur nëpër tokë, populli i Musait i kërkoi atij t’i lutej Allahut që t’iu zbriste ujë për të pirë veta ata dhe bagëtitë e tyre, pasi që vendi ku ndodheshin nuk kishte ujë, ose kishte shumë pak ujë.

[3] Secili grup prej 12 fiseve e dinte burimin e vet dhe nuk i ndërhynte grupit tjetër në burimin e tij.

[4] Që t’i ruante nga i nxehti i diellit të shkretëtirës.

[5] Një ushqim të posaçëm të tyre, që Allahu ia zbriste nga qielli, bashkë me thëllëzat e pjekura.

[6] Kur kërkuan ushqim tjetër, pasi që u mërzitën me të njëjtin ushqim që iu vinte nga qielli; nuk i bënë dëm Allahut, sepse asgjë nuk pakësohej nga sundimi i Tij, por i bënë dëm vetes së tyre, duke shprehur pakënaqësi ndaj dhuratës së Allahut dhe duke kërkuar ndërrimin e më të lartës dhe më të mirës me më të ultën.

[7] Në Kuds të Palestinës.

[8] Kjo vepër është falje që fshin gjynahet tona.

[9] Në sexhde.

[10] Atyre që bëjnë vepra të mira prej jush – atyre që i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, Musait – do i shtojmë shpërblimin, kurse mëkatarëve do i falim gjynahet.

[11] Ata që mohuan Allahun prej bijve të Izraelit, thanë fjalë tjetër nga ajo që u urdhëruan të thonin; në vend që të thonin “Falje”, thanë “Grurë”, apo fjalë tjetër në formë tallje.

[12] Mosbindjes ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[13] Allahu i drejtohet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) që të pyesë hebrenjtë që jetonin në Medine bashkë me të.

[14] Dita e shtunë ishte ditë kremtimi, që madhërohej nga hebrenjtë, dhe Allahu ia kishte ndaluar punën në atë ditë, por ata e shkelën ndalesën dhe shenjtërinë e ditës së shtunë, duke peshkuar në atë ditë, por me hile.

[15] Që nuk i madhëronin si ditën e shtunë.

[16] Duke i çuar peshqit me shumicë vetëm ditën e shtunë, kurse ditëve të tjera jo; për t’i vënë në provë.

[17] Dilnin shpejt nga bindja ndaj Allahut dhe i shkelnin ndalesat dhe urdhrat e Tij.

-171-


  1. (Kujto gjithashtu) Kur një grup prej tyre tha:[1] “Përse këshilloni një popull, të cilin Allahu do e shkatërrojë ose do e dënojë me dënim të ashpër?!”[2] Ata (këshilluesit) thanë: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj[3] dhe se ndoshta do të ruhen.”[4]
  2. Dhe kur ata e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që ndalonin nga e keqja, kurse ata që bënë padrejtësi i ndëshkuam me ndëshkim të fortë, për shkak të mosbindjes së tyre.[5]
  3. Pra, kur ata u sollën me arrogancë ndaj asaj që u ishte ndaluar,[6] Ne u thamë atyre: “Bëhuni majmunë të përbuzur!”[7]
  4. Dhe (kujto) kur Zoti yt deklaroi se do t’u dërgonte atyre[8] njerëz që do t’i mundonin ata me dënimin më të keq, deri në Ditën e Kiametit.[9] Me të vërtetë, Zoti yt është shpejt në ndëshkim,[10] por me të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.[11]
  5. Ne i shpërndamë ata nëpër Tokë grupe-grupe.[12] Disa prej tyre ishin të mirë, ndërsa disa të tjerë jo.[13] Ne i sprovuam ata me të mira dhe të këqija,[14] me qëllim që të ktheheshin.[15]
  6. Pas tyre, erdhi një brez i keq, i cili trashëgoi Librin (Teuratin), por duke marrë gjërat e pavlera të kësaj bote[16] dhe duke thënë: “Do të na falet!”[17] Por edhe nëse u vinte ndonjë ofertë e ngjashme,[18] ata përsëri e merrnin atë.[19] A nuk iu ishte marrë atyre besëlidhja e Librit – që të mos thoshin për Allahun veçse të vërtetën – duke qenë se e kishin studiuar çfarë kishte në të (Teurat)? [20] Bota tjetër është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut;[21] A nuk logjikoni?![22]
  7. Ata që i përmbahen Librit dhe e kryejnë faljen[23] – me të vërtetë, Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin rregulluesve.[24]

[1] Kujto gjithashtu, o Muhamed, kur një grup prej popullit të Musait i tha një grupi tjetër këshillues të atyre që shkelën ndalimin e të shtunës; pra ishin ndarë në tre grupe: një grup mëkatar; një grup jo-mëkatar por as këshillues –duke menduar se këshilla nuk bënte dobi për ata njerëz mëkatarë; dhe grupi i tretë që vazhdonte të këshillonte pa u dorëzuar.

[2] Për shkak të mëkatit të tyre, shkeljes së ditës së shtunë dhe mosbindjes ndaj Allahut.

[3] Për të bërë detyrën që na ngarkuar Allahu; për të urdhëruar për mirë dhe për të ndaluar nga e keqja. Që kur të na pyesë Allahu se çfarë vepruam kur i pamë ata të shkelin ndalesat e Allahut, t’i themi që i ndaluam nga e keqja ashtu si na kishe urdhëruar Ti.

[4] Ndoshta do të ruhen nga Allahu dhe do të kenë frikë nga Ai, dhe kështu do të kthehen në bindjen ndaj Tij dhe do të pendohen nga mëkati i tyre dhe shkelja e ditës së shtunë.

[5] Kur grupi mëkatar e hodhi pas shpine urdhrin e Allahut dhe e shkeli ndalesën e peshkimit në ditën e shtunë, duke qenë se u paralajmëruan dhe u këshilluan vazhdimisht  nga grupi këshillues, atëherë Allahu i ndëshkoi ata që bënë mëkat dhe padrejtësi, dhe i shpëtoi ata që këshillonin dhe ndalonin nga e keqja. Kurse për grupin e tretë, që nuk bëri mëkat, por as nuk këshilloi dhe nuk ndaloi nga e keqja, ka mospajtim në mesin e dijetarëve të Tefsirit nëse shpëtuan apo u ndëshkuan; por ajo që kuptohet nga ajeti është se ata shpëtuan, sepse Allahu thotë që ndëshkimi ishte për ata që bënë padrejtësi prej tyre, d.m.th. për grupin mëkatar që shkeli ndalesën e ditës së shtunë; dhe sepse urdhri për mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrim shoqëror, të cilin nëse e bëjnë si duhet disa, të tjerët shkarkohen nga detyrimi (farz kifaje); dhe këta u mjaftuan me urrejtjen e mëkatit të tyre kur thanë që ata do të marrin dënimin që meritojnë, e Allahu është i Gjithëdijshmi. [Es Seadi].

[6] E kundërshtuan me arrogancë dhe kryeneçësi ndalesën e Allahut, duke peshkuar në ditën e shtunë.

[7] Larg çdo të mire; Allahu i shndërroi ata në majmunë dhe në derra.

[8] Hebrenjve, pasardhësve të Izraelit.

[9] Mund të jetë qëllim haraçi (xhizja), ose çdo lloj tjetër dënimi poshtërues.

[10] Ndaj atyre që e mohojnë atë dhe që shkelin urdhrat e Tij; të cilëve jua shpejton ndëshkimin që në këtë botë, para botës tjetër.

[11] Ndaj atyre që pendohen për mëkatet e tyre dhe kthehen tek Allahu me bindje dhe përkushtim; i mëshiron dhe nuk i dënon ata për mëkatet që ua ka falur.

[12] Allahu i shpërndau bijtë e Izraelit nëpër vende të ndryshme të botës, në grupe të ndarë nga njëri-tjetri.

[13] Disa prej bijve të Izraelit që Allahu i shpërndau nëpër botë, ishin besimtarë dhe punëmirë, ndërsa disa të tjerë nuk ishin të tillë. Ata ishin besimtarë deri në kohën kur Allahu dërgoi Isain, birin e Merjemes, të cilin ata e mohuan dhe kështu dezertuan nga feja e Allahut dhe u bënë mohues të Allahut.

[14] Me mirësi e begati, dhe me fatkeqësi e vështirësi.

[15] Që të ktheheshin në bindjen ndaj Allahut dhe të pendoheshin për mëkatet e tyre.

[16] Brezi që erdhi më pas nga bijtë e Izraelit, pas kohës së Musait (alejhis selam), ishte një brez i keq, i cili megjithëse e trashëgoi Librin e Allahut, Teuratin, nga të parët e tyre, e lanë zbatimin e tij dhe i shkelën ligjet e tij, madje e kthyen atë në mjet fitimi për të marrë rryshfet nga njerëzit kur gjykonin mes tyre sipas Teuratit; pra për një fitim të pavlerë të kësaj bote ata hodhën pas shpine dhe shkelën Librin e Allahut.

[17] Do të na falet kjo që po bëjmë; duke e pranuar se vepra e tyre ishte mëkat, por duke mos u penduar për të dhe duke mos kërkuar falje në mënyrën e duhur; sikur ta kishin të sigurtë se do i falej çfarëdo që të bënin.

[18] Ofertë e ngjashme me atë për të cilën kërkuan një lloj faljeje.

[19] Pa pasur asnjë lloj droje apo frike nga Allahu, dhe pa kujtuar asnjë nga mësimet e përmendura në Teurat për popujt e mëparshëm; por duke vazhduar në mëkate.

[20] Allahu i mori besën bijve të Izraelit që ta zbatonin Teuratin me përpikmëri dhe të mos thoshin për Allahun veçse të vërtetën, dhe këtu i kujton këtij brezi të prishur besën që kanë dhënë të parët e tyre, me qëllim që të kujtojnë dhe të kthehen nga shkelja e besës së Allahut.

[21] Ajo që Allahu ka përgatitur për miqtë dhe të dashurit e Tij në botën tjetër, për ata që i ruhen Allahut dhe kanë frikë dënimin e Tij, është padyshim më e mirë se gjërat e pavlera të kësaj bote, me të cilat ata shesin Librin e Allahut.

[22] A nuk kanë logjikë që ta kuptojnë humbjen e madhe që kanë zgjedhur ata që shkelin besëlidhjen e Allahut, dhe se bota tjetër është më e mirë për të devotshmit, se kjo botë kalimtare?!

[23] Ata që e zbatojnë Librin e Allahut me të cilin erdhi Musai (alejhis selam), pra Teuratin; si dhe falin namazin e rregullt ditor në formën më të mirë; duke iu drejtuar bijve të Izraelit, hebrenjve dhe të krishterëve, deri para se Allahu të dërgonte Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me Kuranin.

[24] Që rregullojnë veten dhe të tjerët; që bëjnë vepra të mira dhe urdhërojnë për mirë e ndalojnë nga e keqja.

-172-


  1. (Kujto) Kur Ne ngritëm sipër tyre malin,[1] sikur të ishte një re e errët, sa që menduan se do të binte mbi ta; (u thamë:) “Merreni me vendosmëri atë që ju dhamë[2] dhe kujtoni çfarë thuhet në të,[3] në mënyrë që të ruheni.”[4]
  2. Dhe (kujto) kur Zoti yt nxori nga bijtë e Ademit – nga shpinat e tyre[5] – pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, (duke u thënë): “A nuk jam Unë Zoti juaj?”[6] Ata thanë: “Po, dëshmojmë!”[7] – Që të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne ishim të pavëmendshëm ndaj kësaj.”[8]
  3. Apo të thoni: “Baballarët tanë ishin idhujtarë para nesh, kurse ne ishim pasardhësi të tyre. A do të na shkatërrosh për atë që kanë bërë falsifikuesit?”[9]
  4. Kështu i shpjegojmë Ne provat, me hollësi,[10] me qëllim që ata të kthehen.[11]
  5. Lexoju atyre historinë e atij,[12] të cilit Ne i dhamë provat Tona, por ai u zhvesh prej tyre.[13] Kështu, djalli e bëri atë pasues të vetin, dhe ai u bë nga të humburit.[14]
  6. Sikur të donim, do ta ngrinim me to (provat),[15] por ai anoi nga Toka[16] dhe ndoqi dëshirën e vet.[17] Kështu që shembulli i tij[18] është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai nxjerr gjuhën, dhe nëse e lë, ai përsëri nxjerr gjuhën.[19] Ky është shembulli i njerëzve që i përgënjeshtrojnë provat Tona.[20] Tregojua këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.[21]
  7. Sa shembull i shëmtuar janë ata njerëz që i mohojnë provat Tona, por ata i bëjnë padrejtësi vetëm vetvetes.[22]
  8. Këdo që Allahu e udhëzon – ai është i udhëzuari; dhe këdo që lë në humbje – ata janë të humburit.[23]

[1] Kur ne e shkulëm malin Tur dhe e ngritëm mbi kokat e bijve të Izraelit, duke i kërcënuar me forcë që të merrnin Librin dhe ta zbatonin atë, sepse kjo ishte për të mirën e tyre, por nga injoranca dhe arroganca e tyre, ata nuk pranonin as të mirën për veten e vet, përveç nëse u jepej me force.

[2] Merreni me seriozitet dhe përpiquni në maksimum që ta zbatoni me përpikmëri Librin që ju dhamë.

[3] Kujtoni besëlidhjet që ju kemi marrë dhe që i kemi shënuar në Libër – në Teurat.

[4] Të ruheni nga Zoti juaj dhe të keni frikë ndëshkimin e Tij për lënien dhe shkeljen e atyre që ju ka urdhëruar dhe besës që ju ka marrë në Libër.

[5] Nga palca e shtyllës kurrizore të prindërve të tyre, brez pas brezi, që nga Ademi deri te njeriu i fundit mbi Tokë.

[6] Zoti, Krijuesi dhe Zotëruesi juaj; duke i bërë të pohojnë Njësimin e Tij, gjë të cilën ua vendosi në natyrshmërinë dhe ndërgjegjen e tyre të brendshme.

[7] Dëshmojmë që Ti je Zoti ynë! Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë njerëzore (të besimit të pastër Islam), por janë prindërit ata që e bëjnë atë hebre, të krishter, apo mexhus (adhurues të zjarrit apo idhujtar); ashtu si bagëtitë që lindin viça të plotë, a mos shihni të lindin viça me vesh apo hundë të prerë?!” Pastaj Ebu Hurejra përmendi Fjalën e Allahut: “Natyrshmëria në të cilën Allahu ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë…” [Er Rum, 30]. Hadithin e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

[8] Nuk e dinim këtë.

[9] Për shkak të idhujtarisë dhe falsifikimit që kanë bërë të parët tanë, duke falsifikuar adhurimin e vërtetë të Allahut dhe duke adhuruar idhujt; kurse ne ndoqëm rrugën e tyre pa e ditur të vërtetën. Por e vërteta është se Allahu i bëri ata të dëshmojnë kundër vetes dhe ua mbolli këtë gjë në ndërgjegjen e tyre, dhe secili njeri e ka në natyrshmërinë e tij Njësimin e Allahut, Krijuesit dhe Zotit të tij; dhe përveç kësaj, Allahu u ka dërguar atyre profetë dhe Libra qiellor, me qëllim që t’ua kujtojë dëshminë e tyre kundër vetes, dhe të qëndrojnë në rrugën e drejtë.

[10] Si në këtë sure edhe në sure të tjera.

[11] Me qëllim që populli yt, o Muhamed, dhe të gjithë njerëzit, të marrin mësim dhe të kthehen në bindjen ndaj Meje, të pendohen nga idhujtaria dhe mosbesimi dhe të kthehen në besimin e vërtetë, në Njësimin Tim dhe në adhurimin Tim, pa më shoqëruar asgjë dhe askënd.

[12] O Muhamed, tregoi popullit tënd dhe hebrenjve që janë në Medine, dhe të gjithë njerëzimit, historinë e një njeriu të cilit Allahu i dha disa nga provat dhe argumentet e Tij. Dijetarët e Tefsirit përmendin disa transmetime ku bëhet fjalë për një burrë nga bijtë e Izraelit apo nga gjigandët, në kohën e Musait, i cili quhej Bel’am, dhe të cilit Allahu i kishte mësuar disa nga provat e Tij, si Emri më i Madh i Allahut, me anë të cilit përgjigjet çdo lutje në çast; por që ai nuk e shfrytëzoi si duhet këtë dhunti, por u mashtrua nga dynjaja dhe ndoqi rrugën e shejtanit, duke u lutur kundër Musait dhe popullit të tij.

[13] U zhvesh nga ato prova dhe dituri që i kishte dhënë Allahu dhe doli prej tyre.

[14] Nga të devijuarit dhe të humburit për shkak të kundërshtimit të rrugës së Allahut dhe bindjes ndaj shejtanit.

[15] Me provat dhe dijen që i kishim dhënë; do i jepnim sukses që të arrinte gradë të larta te Allahu.

[16] Anoi nga jeta e kësaj bote, duke i dhënë përparësi asaj ndaj jetës së botës tjetër.

[17] Duke refuzuar bindjen ndaj Allahut dhe duke kundërshtuar urdhrin e Tij.

[18] Në dëshirën e fortë për gjërat e kësaj bote.

[19] Ashtu si qeni që e mban gjuhën jashtë në çdo gjëndje që të jetë, po ashtu edhe ky vazhdon ta dojë dynajë dhe ta lidhë zemrën me të aq fortë, sa asgjë nga dynjaja nuk e ngop, dhe ai vazhdon të shkojë pas saj.

[20] Si shembulli i atij që u zhvesh nga petku i dijes dhe i njeriut të mirë dhe ndoqi shejtanin.

[21] Tregoja këto ngjarje që të kemi treguar në këtë sure, popullit tënd, o Muhamed, si dhe hebrenjve që gjenden në Medine dhe mbarë njerëzimit, me qëllim që të mendojnë rreth tyre dhe të marrin mësim e të kthehen në bindjen ndaj Nesh; dhe që të mos i zërë ndëshkim si ai i atyre që përgënjeshtruan provat dhe të dërguarit Tanë më parë.

[22] Me mohimin e tyre, sepse do të marrin dënimin e rëndë nga Allahu.

[23] Udhëzimi dhe humbja janë në dorë të Allahut; I udhëzuari është ai që ndjek rrugën e drejtë dhe të vërtetë të fesë, me udhëzimin dhe suksesin që i ka dhënë Allahu; kurse i humburi është ai që Allahu e ka lënë dhe nuk i ka dhënë sukses për bindje ndaj Allahut – për atë që di Allahu nga zemrat e njerëzve dhe veprat e tyre – dhe ky padyshim që është i humbur, humbës dhe i shkatërruar, që humb veten dhe familjen e tij, në këtë botë dhe në botën tjetër.

-173-


  1. Ne kemi krijuar për Xhehenemin shumë nga xhindet dhe njerëzit;[1] Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë,[2] kanë sy me të cilët nuk shohin[3] dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë.[4] Ata janë si bagëtitë,[5] madje edhe më të humbur.[6] Pikërisht ata janë të shkujdesurit.[7]
  2. Allahut i përkasin emrat më të mirë,[8] prandaj lutjuni Atij me to,[9] dhe largohuni nga ata që bëjnë shtrembërime në emrat e Tij.[10] Ata do të ndëshkohen për ato që vepronin.[11]
  3. Në mesin e atyre që kemi krijuar, ka njerëz që udhëzohen me të vërtetën dhe me të mbajnë drejtësi.[12]
  4. Ndërsa ata që i përgënjeshtrojnë provat Tona, Ne do t’i tërheqim drejt shkatërrimit,[13] pa e kuptuar;
  5. Dhe do t’u jap afat.[14] Me të vërtetë, plani Im është i fortë.[15]
  6. Ende nuk e kanë menduar ata? Shoku i tyre (Muhamedi) nuk ka kurrfarë çmendurie.[16] Ai është vetëm paralajmërues i qartë.[17]
  7. A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që Allahu ka krijuar,[18] dhe të mendojnë se mund t’u jetë afruar afati?![19] Në çfarë thënie tjetër pas kësaj do të besojnë?![20]
  8. Këdo që Allahu e humb – nuk ka udhëzues për të![21] Ai i lë ata në mëkatin e tyre, duke u endur verbërisht.[22]
  9. Ata të pyesin ty (O Muhamed) për Orën (e Kiametit), se kur do të ndodhë ajo?[23] Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im.[24] Askush nuk mund ta zbulojë kohën e saj (Orës së Kiametit), përveç Tij.[25] Ajo është shumë e rëndë në qiej dhe Tokë;[26] nuk do t’ju vijë veçse befasisht.”[27] Ata të pyesin sikur ti ta dije mirë atë.[28] Thuaj: “Njohja e saj (Orës së Kiametit) është vetëm tek Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[29]

[1] Të cilët do të hyjnë në Zjarr për shkak të mohimit të Zotit të tyre.

[2] Nuk mendojnë dhe nuk meditojnë në provat dhe shenjat e Allahut, që vërtetojnë Njësimin e Tij; në zemrat e tyre nuk arrin as kuptim as dije, përveç ngritjes së argumentit.

[3] Nuk shohin të vërtetën, provat dhe argumentet e Allahut, atë që i bën dobi; nuk shohin të keqen dhë dëmin e idhujtarisë dhe mosbesimit të tyre.

[4] Nuk dëgjojnë ajetet dhe shpalljet e Allahut, që të mund të mendonin dhe të merrnin mësim.

[5] Pa logjikë, që nuk kuptojnë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, dhe nuk dallojnë mes të mirës dhe të keqes.

[6] Sepse kafshët, megjithëse nuk kuptojnë, por ato janë të inspiruara të largohen nga ajo që i bën keq, dhe të kërkojnë ushqimin më të mirë; kurse këta që janë krijuar për Xhehenemin,  megjithëse kanë mendje dhe logjikë për të dalluar mes të mirës dhe të keqes, e lënë atë që është e mirë për ta në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe kërkojnë atë që i dëmton në këtë botë dhe në botën tjetër; pra kafshët janë më të udhëzuara se këta, kurse këta janë më të humbur se kafshët.

[7] Ndaj provave dhe argumenteve të Allahut; duke i lënë ato në harresë dhe duke mos medituar në domethënien e tyre; dhe ndaj gjërave më të dobishme dhe më të rëndësishme për ta: besimi në Allahun, bindja ndaj Tij dhe përmendja e Tij.

[8] Allahu ka emrat më të mirë dhe më të bukur, dhe çdo emër i Tij tregon një atribut apo cilësi të përsosur dhe madhështore të Tij; prandaj janë emra të mirë, sepse kanë kuptim të mirë, të plotë dhe të përsosur dhe nuk janë thjesht emra pa kuptim.

[9] Lutja në këtë rast përfshin: adhurimin e Allahut dhe kërkimin nga Ai. Allahut i lutesh me atë emër që është i përshtatshëm për llojin e lutjes që bën; për shembull: “O Zoti im! Më fal dhe më mëshiro mua, sepse Ti je Falësi dhe Mëshirëploti!”; Ose: “Pranoje pendimin tim, o Pranuesi i pendimit!”; Ose: “Më furnizo mua, o Furnizues!” E kështu.

[10] Shtrembërimi dhe devijimi në emrat e Allahut: ose duke quajtur dikë tjetër me ato emra, siç bënin idhujtarët që i quanin idhujt e tyre me disa nga emrat e Allahut me ndryshime të vogla; ose duke e mohuar kuptimin e tyre dhe duke e shtrembëruar atë; ose duke i dhënë kuptim tjetër që nuk e ka pasur për qëllim Allahu apo i Dërguari i Tij; ose duke i shëmbëllyer emrat dhe atributet e Allahut me ndonjë prej krijesave të Tij. Pra, duhet të ruhesh nga shtrembërimi i emrave dhe atributeve të Allahut, si dhe nga ata që e bëjnë këtë gjë, duke u larguar prej tyre. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra; kush i mëson ato të gjitha, do të hyjë në xhenet.”

[11] Do të marrin ndëshkimin që meritojnë për shkak të veprave që bënin para se t’u vinte vdekja: prej mohimit të Allahut, shtrembërimit të emrave të Tij, përgënjeshtrimit të Dërguarit të Tij.

[12] Këta janë dijetarët e sinqertë dhe edukues nga populli i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), deri në Ditën e Kiametit.

[13] Do t’ia zbukurojmë veprën e keqe sa të mendojë se ajo që po bën prej përgënjeshtrimit dhe mohimit të provave dhe shpalljeve të Allahut, t’i duket vepër e mirë; deri sa t’i përmbushet afati, pastaj do e llogarisim për veprat e tij të këqia dhe do i japim ndëshkimin që meriton.

[14] Deri në një kohë të caktuar, kur të mendojnë se nuk do të ndëshkohen për mohimin dhe veprat e tyre të këqia, kështu që do të vazhdojnë edhe më shumë në mosbesim dhe arrogancë, atëherë do të marrin ndëshkimin e caktuar për ta në këtë botë, para se të japin shpirtin.

[15] Dhe nuk mund të prishet apo të dështojë.

[16] A nuk e kanë vënë mendjen në punë mohuesit dhe idhujtarët se shoku i tyre, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të cilin e njohin mirë dhe i shohin cilësitë dhe moralin e tij, nuk është i çmendur, por përkundrazi, është më i logjikshmi nga të gjithë ata dhe me atributet më të larta se të gjithë ata dhe mbarë njerëzimi, dhe ai i fton ata vetëm në atë që është për të mirën e tyre dhe i ndalon nga ajo që është e keqe për ta?!

[17] Që ju paralajmëron në mënyrë plotësisht të qartë dënimin e Allahut për shkak të mosbesimit tuaj, në rast se nuk ktheheni në besimin e vërtetë, në bindjen ndaj Allahut dhe në pasimin e të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[18] Çdo grimcë e universit provon fuqinë, dijen, urtësinë dhe mëshirën absolute të Allahut, dhe se mbi të gjitha Ai është Krijuesi dhe mbajtësi i tyre; kështu që përse nuk meditojnë pak dhe të marrin mësim, e të mos adhurojnë idhuj e sende që nuk mund të sjellin dëm apo dobi, dhe që nuk mund të mbajnë as vetveten, por të adhurojnë Krijuesin e tyre dhe të gjithçkaje që ekziston.

[19] Afati i vdekjes dhe i shkuarjes tek Allahu, ku do të marrin ndëshkimin e rëndë dhe të përhershëm për mohimin dhe veprat e tyre të këqia, në rast se nuk pendohen dhe nuk kthehen në bindje ndaj Allahut para se t’iu vijë ai afat.

[20] Nëse nuk besojnë këtë Libër që i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe në të cilin gjendet e vërteta e ekizstencës së gjithësisë, dhe gjithçka i duhet njeriut për të jetuar mirë në këtë botë dhe në botën tjetër kur të kthehet te Zoti i tij; atëherë çfarë thënie dhe çfarë libri do të besojnë idhujtarët, mohuesit dhe mbarë njerëzimi?

[21] Atë që Allahu e humb nga rruga e drejtë, askush nuk mund ta udhëzojë atë, sepse udhëzimi është vetëm në Dorë të Allahut dhe vetëm Ai i di zemrat e krijesave të Tij.

[22] Allahu i lë ata të thellohen në mosbesimin dhe idhujtarinë e tyre, duke bredhur në verbëri nga e cila nuk mund të dalin, deri sa të arrijnë cakun e tyre që u ka caktuar Allahu, për të marrë ndëshkimin e rëndë që meritojnë.

[23] Ata që të përgënjeshtrojnë dhe të mohojnë ty, o Muhamed – nga kurejshët ose hebrenjtë e Medines – të pyesin se kur do të ndodhë Kiameti.

[24] I Cili di të fshehtën dhe të dukshmen, dhe Ai nuk ia ka treguar kohën se kur do të ndodhë Kiameti askujt nga krijesat e Tij.

[25] Kurse njerëzit dhe të gjitha krijesat do ta mësojnë atë vetëm kur të ndodhë papritmas.

[26] Njohja e Orës së Kiametit është fshehur nga krijesat e qiejve dhe të Tokës, dhe çështja e saj është gjithashtu shumë e rëndë për ta, dhe ata kanë frikë nga ndodhja e saj.

[27] Pa e pritur dhe pa e kuptuar, krejtëisht papritmas dhe pa u përgatitur për të.

[28] Idhujtarët dhe mohuesit të pyesin për kohën kur do të ndodhë Kiameti, duke menduar sikur ti ke pyetur shumë rreth saj dhe je interesuar për kohën kur do të ndodhë, dhe se e di mirë se kur do të ndodhë; ndërsa e vërteta është se ti nuk ke pyetur për kohën e Kiametit, sepse nuk është diçka që do të sillte ndonjë dobi, dhe as nuk e di kohën e tij, sepse kohën se kur do të ndodhë Kiameti nuk di asnjë i dërguar nga Allahu dhe asnjë engjëll që është më pranë Allahut, por Allahu e ka mbajtur atë të fshehtë nga të gjithë, me dijen dhe urtësinë e Tij absolute. Kështu që, mos e pyesni se kur do të ndodhë Kiameti, por përgatituni për të duke besuar Allahun dhe duke ju bindur Atij dhe të Dërguarit të Tij.

[29] Kohën se kur do të bëhet Kiameti e di vetëm Allahu, i Cili di të fshehtat e qiejve dhe të Tokës, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë, dhe mendojnë se ndonjë nga krijesat mund ta dijë; por ata janë gabim, sespe asnjë krijesë nuk ka asnjë rrugë dhe asnjë mënyrë për ta mësuar se kur do të ndodhë Kiameti.

-174-


  1. Thuaj: “Unë nuk kam në dorë t’i sjell vetes as dobi as dëm, përveç asaj që dëshiron Allahu;[1] dhe sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte e keqa.[2] Unë nuk jam veçse paralajmërues[3] dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.”[4]
  2. Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm,[5] dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij,[6] që të qetësohej tek ajo.[7] Kur ai (burri) e mbështjell atë (gruan),[8] ajo mbart një barrë të lehtë, dhe vazhdon pa e ndier.[9] Kur barra rëndohet, ata të dy i luten Allahut, Zotit të tyre:[10] “Nëse na dhuron fëmijë të saktë,[11] ne me siguri do të jemi ndër mirënjohësit!”[12]
  3. Por, pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të saktë,[13] ata të dy i përshkruajnë Atij shokë në atë që Ai u dha atyre.[14] I Lartësuar është Allahu mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij![15]
  4. A i shoqërojnë Atij ortakë që nuk mund të krijojnë asgjë, madje vetë ata janë të krijuar;[16]
  5. Dhe që nuk mund t’u japin atyre ndonjë ndihmë, e as vetveten nuk mund ta ndihmojnë?![17]
  6. E nëse ju i ftoni ata në udhëzim (idhujt), ata nuk do t’ju ndjekin.[18] Për ju është e njëjta gjë, nëse i ftoni apo heshtni.[19]
  7. Në të vërtetë, ata që ju lutni në vend të Allahut, janë robër si ju.[20] Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse jeni të sinqertë![21]
  8. A kanë ata (idhujt) këmbë për të ecur;[22] apo a kanë duar për të kapur?[23] Apo a kanë sy për të parë;[24] apo a kanë veshë për të dëgjuar?[25] Thuaj (O Muhamed): “Thirrni idhujt tuaj dhe komplotoni kundër meje, pa më dhënë afat![26]

[1] Unë jam krijesë e Allahut; nuk më vjen e mira veçse nga Allahu dhe nuk ma largon të keqen veçse Allahu; dhe unë nuk di asgjë përveç asaj që më ka mësuar Allahu.

[2] Sikur ta dija të fshehtën dhe të ardhmen, do të bëja ato shkaqe që e dija sigurtë se do të sillnin fitim dhe të mira, dhe do të ruhesha nga ato gjëra që do më sillnin humbje dhe dëmtim; por unë nuk e di të fshehtën, kështu që mund të më shpëtojnë disa të mira të dynjasë dhe mund të më prekin disa të këqija të saj, sepse unë jam njeri, ashtu si edhe ju.

[3] Jam dërguar nga Allahu si paralajmërues i ndëshkimit në këtë botë dhe në botën tjetër, duke sqaruar veprat që meritojnë ndëshkim dhe duke ndaluar prej tyre.

[4] Dhe jam derguar gjithashtu si lajmërues për shpërblimin në këtë botë dhe në botën tjetër të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, duke i sqaruar ato vepra dhe duke nxitur për kryerjen e tyre; pra lajmet e mira janë vetëm për besimtarët që veprojnë vepra të mira, dhe për askënd tjetër përveç tyre.

[5] O burrat dhe gratë e gjithë botës, të çdo vendi apo kohe, që të gjithë ju jeni krijuar fillimisht nga një njeri i vetëm, që është babai i njerëzimit, Ademi (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[6] Nga brinja e Ademit, Allahu krijoi bashkëshorten e tij, nënën e njerëzimit, Havanë.

[7] Sepse duke qenë se ajo ishte pjesë e tij, kështu mund të përshtateshin me njëri-tjetrin, të qetësoheshin te njëri-tjetri dhe të gjenin kënaqësi te njëri-tjetri.

[8] Kur kryejnë marrëdhënie bashkëshortore intime, dhe kur Allahu ka caktuar që nga ajo marrëdhënie të ketë shtatzani.

[9] Vazhdon jetën pa e ndier rëndesën e barrës në fillim të shtatzanisë, madje duke dyshuar dhe pa qenë e sigurtë nëse është shtatzënë apo jo, deri sa barra të rëndohet.

[10] Dhe akujt tjetër përveç Allahut; as idhujve as shejtanit dhe askujt.

[11] Pa të meta fizike apo mendore.

[12] Do të të faënderojmë vetëm Ty, Zoti ynë, për dhurimin e fëmijes së saktë dhe pa të meta.

[13] Ashtu si e kërkuan dhe si iu lutën Allahut që t’ua dhuronte.

[14] I përshkruan shok Allahut në fëmijën, të cilin ua dhuroi Allahu – dhe të cilin pa dyshim që nuk mund ta dhurojë askush tjetër përveç Allahut – duke e quajtur atë “rob” të dikujt tjetër përveç Allahut (duke i vendosur emër që i dedikohet idhujve apo ndonjë krijese), ose duke ia dedikuar meritën për fëmijën e saktë që iu lindi, dikujt tjetër përveç Allahut, qoftë idhull, shejtan, magjistar apo çfarëdo, në vend që t’ia dedikojnë meritën Allahut dhe të falënderojnë Allahun, Zotin e tyre që e lutën më parë, dhe i Cili është i Vetmi që i dhuron fëmijë kujt të dojë nga krijesat e Tij.

[15] I Lartë dhe i Pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë idhujtarët dhe nga idhujt që ata lusin e adhurojnë përkrah apo në vend të Tij.

[16] A i shoqërojnë Allahut ortakë në adhurim, të cilët jo vetëm që nuk mund të krijojnë asgjë, por vetë janë të krijuar; kështu që si adhurojnë diçka të krijuar e të dobët, në vend që të adhurojnë vetëm Krijuesin e tyre të Përsosur dhe Absolut.

[17] Si mund të adhuroni në vend të Allahut idhuj dhe krijesa të dobta dhe të pafuqishme, që nuk mund t’ju ndihmojnë as ju as vetveten, në rast se ju vjen ndonjë e keqe apo ndonjë dënim nga Allahu? A nuk është kjo padrejtësia më e madhe dhe mendjelehtësia më e madhe?!

[18] Sepse nuk kuptojnë, nuk dëgjojnë, nuk shikojnë dhe nuk lëvizin; sepse janë thjesht gurë e drurë që ju i adhuroni.

[19] Sepse ata gjithësesi nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë; dhe përderisa janë të tillë, që nuk mund të udhëzohen dhe të bëjnë atë që i thoni ju, atëherë si mund të jenë ato që t’ju udhëzojnë në rrugë të drejtë e që ju t’i adhuroni?! Vërtet që zgjedhja juaj është e gabuar, dhe gabimi e lajthitja juaj është e rëndë.

[20] Idhujt të cilët idhujtarët lutin dhe adhurojnë janë robër dhe krijesa të Allahut, njësoj si vetë ata; dhe kështu që si mund të adhurojnë dhe t’i luten një krijese tjetër në vend që t’i luten e të adhurojnë Krijuesin e tyre?

[21] Por ata nuk mund të përgjigjen sepse nuk dëgjojnë, po edhe sikur të dëgjonin, nuk do mund t’u përgjigjeshin dhe nuk mund t’i plotësonin lutjet e tyre, sepse nuk kanë fuqi apo mundësi që ta bëjnë këtë.

[22] Që të ecin për të plotësuar nevojat dhe dëshirat tuaja, o idhujtarë!

[23] Që tju mbrojnë dhe tju ndihmojnë kur dikush kërkon tju sulmojë.

[24] Ato gjëra që ju nuk i shihni, me qëllim që të mund tju paralajmërojnë apo tju ndihmojnë.

[25] Gjëra që ju nuk i dëgjoni, që të mund tju bëjnë dobi diçka. Nëse idhujt tuaj që ju i adhuroni nuk kanë asnjë nga cilësi, me të cilat mund tju ndihmonin, atëherë për çfarë arsye dhe me çfarë logjike i adhuroni ata?!

[26] Por duke nxituar që të më dëmtoni sa më shpejt; por ju nuk do të mund të më dëmtoni aspak, sepse mua më mbron dhe më ruan Allahu, i Cili ka fuqi mbi gjithçka dhe ka në dorë gjithçka, ndryshe nga idhujt tuaj që nuk kanë fuqi për asgjë, madje ato janë më të dobët se vetë ju që i lutni ata.

-175-


  1. Në të vërtetë, Mbrojtësi im[1] është Allahu, i Cili ka zbritur Librin,[2] dhe është Ai që kujdeset për të mirët.[3]
  2. Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë ju, madje as vetveten nuk mund ta ndihmojnë.[4]
  3. Edhe nëse i ftoni ata (idhujt) në udhëzim, ata nuk dëgjojnë! Ty të duket sikur ata (idhujt) të vështrojnë, por ata nuk shohin.[5]
  4. Prano të tepërtën,[6] urdhëro për të mirën[7] dhe largohu nga injorantët![8]
  5. Kurdo që të vjen ndonjë cytje nga djalli, kërko strehim tek Allahu.[9] Vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.[10]
  6. Me të vërtetë, ata që i frikësohen Allahut,[11] kur u vjen ndonjë iluzion nga djalli,[12] kujtohen shpejt,[13] dhe atëherë shohin qartë.[14]
  7. Ndërsa vëllezërit e tyre[15] – ata (djajtë) i shtyjnë edhe më shumë në humbje, dhe nuk përmbahen.[16]
  8. E kur ti (O Muhamed) nuk u sjell atyre ndonjë provë,[17] ata thonë: “Përse nuk e sajon vetë!”[18] Thuaju: “Unë ndjek vetëm atë që më shpallet nga Zoti im.[19] Ky (Kuran) është ndriçues[20] nga Zoti juaj, udhëzim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.”[21]
  9. Pra, kur lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.[22]
  10. Përmende Zotin tënd me vete,[23] me përulje dhe frikë,[24] pa e ngritur zërin[25] – në mëngjes dhe në mbrëmje;[26] Dhe mos u bëj nga të pavëmendshmit![27]
  11. Me të vërtetë, ata që janë afër Zotit tënd,[28] nuk i pengon mendjemadhësia nga adhurimi i Tij,[29] por e lartësojnë Atë dhe vetëm Atij i përulen në sexhde.[30]

[1] Që më mbron nga ju, o idhujtarë dhe mohues, dhe që më ndihmon kundër jush.

[2] Kuranin, që ia shpalli Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[3] Allahu i mbron dhe kujdeset për ata që e besojnë Atë dhe bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Tij.

[4] Atëherë, a mund të krahasohet Mbrojtësi im, Allahu, të cilin unë adhuroj dhe i bindem, me idhujt tuaj që ju i merrni për mbrojtës dhe që i adhuroni në vend të Allahut?

[5] Idhujtarët i kanë skalitur idhujt e tyre në formë të njerëzve apo kafshëve, dhe u kanë bërë atyre sy apo vesh, por ata mbeten sende të ngurta që nuk shohin e nuk dëgjojnë, megjithëse në pamje të parë, kur sheh në sytë e tyre të ngrira, duket sikur të shohin, por ata nuk mund të shohin, sepse janë sende të ngurta; e megjithatë, idhujtarët përsëri i adhurojnë. Thuhet gjithashtu se mund të jenë për qëllim idhujtarët dhe jo idhujt e tyre, pra Muhamedit i duket sikur idhujtarët e vështrojnë me vëmendje dhe e dëgjojnë atë kur ai u flet, por ata nuk e shohin realitetin e tij, cilësitë e tij dhe sinqeritetin e tij kur i fton në besimin e vërtetë dhe në bindje ndaj Krijuesit të tyre.

[6] Prano prej njerëzve atë që e kanë tepër dhe që e japin me dëshirë nga pasuria e tyre për zekat; dhe prano prej tyre sjelljen e natyrshme qoftë edhe e tepërt apo e vrazhdë; dhe mos i ngarko ata më tepër mundësive apo moraleve të tyre të natyrshme; por sillu mirë me ta për çdo rast dhe prano çdo sjellje të tyre me zemërgjerësi dhe mirësjellje. Dhe vërtet, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), e zbatoi këtë urdhër të Allahut në formën më të plotë, sa që Allahu i tha: “Ti –O Muhamed-, je vërtet me moral madhështor.” [El Kalem, 4].

[7] Për çdo vepër, fjalë apo sjellje të mirë; dhe ndalo nga çdo vepër, fjalë apo moral i keq.

[8] Nëse dikush të lëndon apo të dëmton me fjalë apo vepër, për shkak të injorancës së tij, mos ia kthe njësoj, por largohu prej tij; kush të ndalon diçka që është e jotja, ti mos ia ndalo atë që është e tij; kush e shkëput lidhjen me ty prej të afërmve, ti mos e këput lidhjen me të; kush të bën padrejtësi, ti gjyko drejt ndaj tij.

[9] Në çdo kohë dhe në çdo gjendje që shejtani të cyt me ndonjë cytje për të lënë një të mirë apo për të bërë një të keqe, kërko strehim dhe mbrotje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar – thuaj: Eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhim!

[10] Allahu e dëgjon fjalën tënde kur i kërkon mbrojtje Atij nga shejtani i mallkuar, dhe e di qëllimin tënd dhe forcën e mbështetjes tek Ai, kështu që do të të ruajë nga sprova dhe cytja e shejtanit.

[11] Të devotshmit, të cilët kanë frikë ndëshkimin e Allahut; ata që kryejnë urdhrat e Allahut dhe i largohen ndalesave të Tij.

[12] Kur shejtani i shtyn drejt zemërimit, nxehjes së gjakut, apo çdo cytje për keq, duke çuar në shkeljen e të drejtave të Allahut apo të njerëzve.

[13] Kujtojnë Allahun; ndëshkimin dhe shpërblimin e Tij; premtimin dhe kërcënimin e Tij.

[14] Shohin të vërtetën dhe kthehen menjëherë tek ajo, duke iu bindur Allahut në ato që i ka urdhëruar, dhe duke lënë shejtanin dhe bindjen ndaj tij.

[15] Vëllezërit e djajve prej njerëzve; ata të cilët i binden shejtanit dhe shkelin urdhrat dhe ndalesat e Allahut.

[16] Nuk e pakësojnë cytjen dhe nxitjen e tyre drejt humbjes dhe drejt çdo të keqe, që i bën ata të humbin këtë botë dhe botën tjetër.

[17] Kur ti – O Muhamed – nuk u sjell idhujtarëve dhe përgënjeshtruesve të tu ndonjë shenjë apo mrekulli që ata kërkojnë për të të besuar ty; edhe pse ata nuk do të besojnë gjithësesi, por e kërkojnë vetëm për tallje dhe lojë.

[18] Provën që ata kërkojnë; ta shpikësh vetë.

[19] Dhe nuk më lejohet, as nuk është në mundësinë time që të sajoj shpallje dhe prova nga vetja ime; por detyra ime është të ndjek atë që më shpall Allahu, sepse unë jam rob dhe i Dërguar i Tij, dhe i bindem vetëm Atij.

[20] Që sqaron mirë të gjitha kërkesat Hyjnore dhe qëllimet njerëzore; që është argument kundër të gjithë atyre që dëgjojnë për të dhe nuk e besojnë dhe nuk  e zbatojnë.

[21] Kurani dhe shpalljet e Allahut janë, ndriçim, udhëzim dhe mëshirë vetëm për ata që besojnë se Kurani është zbritur nga Allahu dhe është shpallje e Tij, si dhe e zbatojnë atë që thuhet në të; kurse për ata që nuk e besojnë Kuranin dhe e përgënjeshtrojnë atë, ai është mjerim dhe poshtërim në të dyja botët.

[22] O besimtarë – ju, për të cilët Kurani është ndriçues, udhëzim e mëshirë – duhet të dini se kushti që të mëshiroheni kur lexohet Kuran, është: 1. Që ta dëgjoni atë me vëmendje dhe meditim; 2. Duke heshtur dhe duke mos u angazhuar me diçka tjetër, por duke u përqendruar në kuptimin e tij. Ai që i plotëson këto dy kushte kur lexohet Kuran, fiton të mira të shumta, dije të madhe, besim të vazhdueshëm dhe të ripërtërirë, udhëzim që shtohet vazhdimisht dhe mprehtësi në fe.

[23] Me sinqeritet; jo sa për sy e faqe.

[24] Me respekt, madhërim dhe frikë nga Allahu dhe dënimi i Tij për neglizhimin tënd në marrjen mësim nga Kurani që dëgjon, apo për pakujdesinë tënde ndaj ligjeve që Allahu ka sqaruar në të.

[25] Lutja duhet të bëhet me zë të ulët dhe në vetvete, dhe jo duke ngritur zërin, por duke ruajtur një të mesme, dhe duke iu ruajtur syefaqësisë dhe hipokrizisë.

[26] Në fillim të ditës dhe në mbarim të saj; pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit, dhe pas namazit të asrit (ikindisë) deri në perëndim të diellit; këto janë dy kohët më të veçanta për përmendjen e Allahut dhe për lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes që na ka mësuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) t’i bëjmë çdo ditë.

[27] Të pavëmendshmit dhe të pakujdesshmit janë ata që e harrojnë Allahun dhe përmendjen e Allahut, dhe kështu që Allahu i bën ata të harrojnë vetveten; këta i humbin vetes të mirat e kësaj bote dhe qëndrueshmërinë e tyre, si dhe të mirat e botës tjetër dhe lumturinë e përhershme. Allahu nuk i përgjigjet lutjes së atij që nuk e ka mendjen gjatë lutjes dhe që e ka zemrën të angazhuar me gjëra të tjera.

[28] Engjëjt e afërt te Allahu, engjëjt që mbartin Arshin, dhe engjëjt në përgjithësi.

[29] Nuk kanë aspak mendjemadhësi ndaj adhurimit të Allahut, por e adhurojnë Atë me përulje dhe frikë; prandaj bëhu si ata edhe ti, që dëgjon Kuranin të lexohet dhe që beson dhe adhuron Allahun.

[30] Madhërojnë Allahun me përulje dhe i bëjnë sexhde vetëm Atij; kështu që i merrni për shembull engjëjt e afërm të Allahut dhe madhëroni e adhuroni Allahun me sinqeritet dhe pa i shoqëruar askënd. Ky është ajeti i parë i sexhdes në renditjen e Kuranit nga 15 ajetet e sexhdes që gjenden në të gjithë Kuranin; pra kur lexohet ose dëgjohet ky ajet, si dhe ajetet e tjera të sexhdes, duhet të bëhet një sexhde e vetme, dhe ky është sunet i fortë, të cilin i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e bënte gjithnjë dhe nuk e linte, por që ka sqaruar gjithashtu se nuk është i detyrueshëm, por i pëlqyeshëm.

-176-