SURJA “MERJEM”
Surja Nr. 19, Mekase, 98 ajete
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- Këf, Hë, Jë, Ajn, Sad.[1]
- Ky është përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të Tij, Zekerijas.[2]
- Kur ai (Zekerija) iu lut Zotin e vet me lutje të fshehtë.[3]
- Ai tha: “Zoti im! Eshtrat më janë dobësuar dhe koka më është ndezur nga thinjat, por kurrë nuk jam zhgënjyer në lutjen time ndaj Teje, o Zoti im![4]
- Unë i frikësohem (humbjes së) të afërmve të mi pas meje, kurse bashkëshortja ime nuk lind fëmijë; prandaj, më dhuro nga ana Jote një trashëgimtar,[5]
- që të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit. Dhe bëje atë të pëlqyeshëm, o Zoti im!”[6]
- “O Zekerija! Ne të përgëzojmë me një djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja – emër që nuk ia kemi vendosur askujt më parë.”[7]
- Ai (Zekerija) tha: “Zoti im! Si mund të kem unë një djalë, kur bashkëshortja ime nuk lind fëmijë dhe unë kam arritur fundin e pleqërisë!”[8]
- Ai (engjëlli) tha: “Kështu do të jetë! Zoti yt thotë: “Kjo për Mua është lehtë, madje Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ishe asgjë.”[9]
- Ai (Zekerija) tha: “Zoti im, më jep një shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se ti nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, megjithëse do të jesh me shëndet të plotë.”[10]
- Më pas, ai (Zekerija) doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre që të lartësonin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje![11]
[1] Sqarimi i kuptimit të gërmave të caktuara në fillim të disa sureve të Kuranit është përmendur në fillim të sures el Bekare.
[2] Ajetet në vijim janë përkujtim i mëshirës së Zotit tënd, o Muhamed, ndaj robit të Tij, Zekerijas, që Ne do ta tregojmë ty, në mënyrë që të jetë mësim për njerëzit.
[3] Kur Zekerija iu lut Zotit të vet me lutje të fshehtë, gjatë natës, për të qenë me sinqeritet të plotë ndaj Allahut dhe më e pritshme për t’u pranuar.
[4] Zekerija tha: “Zotim im! Kam kaluar në moshë; kockat më janë dobësuar e më janë bërë të brishta dhe koka më është ndezur nga thinjat dhe është bërë e bardhë, por unë kurrë nuk jam zhëgnjyer në lutjet që të kam bërë Ty, o Zoti im!…
[5] Unë i frikësohem të afërmve të mi, djemve të xhaxhallarëve e të tjerëve, se ata nuk do ta mbajnë fenë pas vdekjes sime, por do ta humbin dhe shtrembërojnë atë, ashtu siç kam parë të bëjnë bijtë e Israilit; kurse gruaja ime nuk lind fëmijë, që të mund të kisha një pasardhës për t’ia lënë atij trashëgimi fenë që ta ruajë atë ashtu si duhet; prandaj, Zoti im, më dhuro nga ana Jote një fëmijë trashëgimtar dhe ndihmues për mua!…
[6] Që të trashëgojë profetësinë time dhe profetësinë e familjes së Jakubit. Dhe bëje atë që të jetë i pëlqyeshëm tek ti dhe tek njerëzit; që të jetë i sjellshëm, i devotshëm ndaj Teje dhe i pashëm!”
[7] Allahu iu përgjigj lutjes së Zekerijas, duke i thënë: “O Zekerija! Ne të përgëzojmë me pranim dhe përgjigje të lutjes tënde; do të dhurojmë një djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja – emër që nuk ia kemi vënë askujt tjetër para tij.”
[8] Zekerija tha me habi: “Zoti im! Si mund të kem fëmijë dhe nga cila rrugë do më vijë, kur gruaja ime është nga ato gra që nuk lindin fëmijë, dhe unë kam arritur fundin e pleqërisë!” – Zekerija atëherë ishte 120 vjeç, kurse gruaja e tij ishte 98 vjeç. Habia dhe pyetja e Zekerijas ishte në lidhje me mënyrën që do t’i vinte fëmija, dhe se çfarë duhet të bënte ai në këtë rast; a do i jepte Allahu fuqi atij dhe do të bënte që gruaja e tij të lindte fëmijë, apo duhet të martohej me një grua tjetër që lindte, apo si? Dhe jo se dyshonte në realizimin e premtimit të Allahut që do i dhuronte atij një djalë.
[9] Engjëlli që i shpallte Zekerijas i tha atij: “Kështu do të jetë! Allahu do të japë fuqi ty dhe do të bëjë që gruaja jote të lindë. Zoti yt thotë: “Krijimi i Zekerijas në këtë mënyrë është diçka e lehtë për mua, madje Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje dhe nuk ishe asgjë. Allahu krijon çfarë të dojë dhe si të dojë.”
[10] Zekerija tha: “Zoti im, më jep një shenjë që ta mësoj kur të realizohet përgëzimi që më dhanë engjëjt për shtatzëninë e gruas sime!” Allahu i tha: “Shenja jote do të jetë se ti nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri netë rresht, pavarësisht se nuk do të kesh asnjë sëmundje në trup apo problem me të folurit.”
[11] Më pas, Zekerija doli nga faltorja para popullit të tij, i cili e priste atë që të hapte faloren për të kryer adhurimet ndaj Allahut si zakonisht, dhe u bëri me shenjë atyre që të madhëronin dhe lartësonin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje, për ta falëndeuar dhe adhuruar Atë. – Atëherë Zekerija e kuptoi se kjo ishte shenja që gruaja e tij ishte shtatzënë, sepse nuk mundej t’i fliste popullit me gojë por vetëm me shenjë.
-305-
- “O Jahja! Shtrëngoje fort Librin (Teuratin)!” Dhe, ndërsa ishte ende fëmijë, Ne i dhamë atij urtësinë,[1]
- (i dhamë) butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte shumë i devotshëm ndaj Allahut,[2]
- dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, dhe nuk ishte arrogant i padëgjueshëm.[3]
- Paqë qoftë mbi të ditën kur lindi, ditën kur të vdesë dhe ditën kur do të ringjallet.[4]
- Dhe përmend (o Muhamed) në (këtë) Libër Merjemen, kur ajo u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje,[5]
- dhe vendosi një perde mes saj dhe atyre. Pastaj Ne i dërguam asaj Shpirtin Tonë (engjëllin Xhibril), i cili iu paraqit asaj në formën e një njeriu të përsosur.[6]
- Ajo i tha: “Unë kërkoj mbrojtje nga i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut!”[7]
- Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguari i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”[8]
- Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur nuk më ka prekur asnjë njeri dhe nuk kam qenë e pandershme?!”[9]
- Ai (engjëlli) tha: “Ashtu është! Por Zoti yt thotë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë që të jetë provë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë.’ Kjo është një çështje e caktuar që të ndodhë.”[10]
- Kështu, ajo u bë shtatzënë dhe u tërhoq me të (fëmijën në bark) në një vend të largët.[11]
- Dhembjet e lindjes e çuan atë te trungu i një palme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj dhe të isha harruar prej kohësh!”[12]
- Një zë e thirri nga poshtë saj: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një përrua poshtë teje![13]
- Dhe shkunde drejt teje trungun e palmës, që të rrëzojë mbi ty hurma të buta e të freskëta![14]
[1] Pasi Jahja lindi dhe arriti një moshë që kuptonte fjalët (rreth 3 vjeç), Allahu e urdhëroi atë që ta merrte Teuratin seriozisht dhe me forcë, duke e mësuar, kuptuar dhe praktikuar atë. Që kur ishte ende fëmijë, Allahu i dha atij urtësinë dhe mençurinë për të kuptuar librin e Allahut (Teuratin).
[2] Allahu i dha Jahjas butësi e mëshirë nga Ai, dhe dëlirësi e pastërti nga gjynahet. Ai ishte shumë i devotshëm ndaj Allahut dhe e kishte frikë Allahun; i bindej urdhrave të Allahut me përpikmëri të plotë dhe i largohej të gjitha ndalesave të Allahut.
[3] Jahja ishte i sjellshëm ndaj prindërve të vet, i dëgjueshëm ndaj tyre, dhe nuk ishte mendjemadh e arrogant në bindjen ndaj Allahut apo ndaj prindërve të vet, dhe as i padëgjueshëm ndaj Allahut apo ndaj prindërve të vet.
[4] Paqja e Allahut dhe siguria e Tij qoftë mbi Jahjan në ditën kur lindi, ditën kur të vdesë dhe ditën kur do të ringjallet! – Allahu i dha siguri Jahjas ditën e lindjes së tij, dhe kjo ishte siguri nga dëmtimi i shejtanit atë ditë; i dha siguri gjithashtu në ditën e vdekjes nga sprova e varrit; dhe i dha siguri në ditën e Ringjalljes nga dënimi i Allahut dhe tmerret e ditës së Llogarisë.
[5] Dhe përmend, o Muhamed, në këtë Kuran, historinë e Merjemes, bijës së Imranit, kur ajo u tërhoq nga familja e saj dhe u largua prej tyre, në një vend në drejtim të lindjes.
[6] Mermjemja vendosi një perde dhe një pengesë mes saj dhe familjes së saj që të mos e shihnin atë, as familja as njerëzit e tjerë. Pastaj Allahu dërgoi tek ajo engjëllin Xhibril, i cili iu paraqit asaj në formën e një njeriu të përsosur në krijim dhe në pamje.
[7] Merjemja u frikësua nga burri që pa, se mos kishte qëllim t’i afrohej asaj, pa e ditur se ai ishte engjëll, dhe i tha atij: “Unë i kërkoj mbrojtje Allahut të Gjithëmëshirshëm prej teje, që të mos më afrohesh, nëse je prej atyre që i frikësohen Allahut; sepse ata që i frikësohen Allahut nuk i afrohen ndalesave të Allahut!”
[8] Engjëlli Xhibril i tha Merjemes: “Unë jam vetëm i dërguari i Zotit tënd, i Cili më ërgoi tek ti që të dhuroj një fëmijë të pastër nga gjynahet.”
[9] Merjemja i tha engjëllit: “Si mund të kem fëmijë, kur mua nuk më ka prekur asnjë njeri, qoftë me martesë të ligjshme, apo me lidhje të paligjshe, sepse nuk kam qenë kurrë e pandershme?!”
[10] Engjëlli i tha Merjemes: “Ashtu është, si thua ti; që ty nuk të ka prekur njeri me martesë të ligjshme dhe as nuk ke qenë e pandershme, që të mund të lindje fëmijë, por Zoti yt thotë: “Kjo gjë është e lehtë për Mua. Këtë djalë do ta bëjmë provë për njerëzit që dëshmon për fuqinë e Allahut, dhe do e bëjmë mëshirë nga ana Jonë për veten, nënën e tij dhe për njerëzit. Krijimi i Isait dhe ardhja e tij në këtë botë me këtë mënyrë ishte diçka e paracaktuar nga Allahu dhe e shkruar në Librin që është tek Allahut, El Leuhu el Mahfudh, kështu që do të ndodhë patjetër.”
[11] Merjemja mbeti shtatzënë me fëmijën e saj, Isain, pasi Xhibrili fryu në xhepin e fustanit të saj, dhe fryma e tij arriti në mitrën e saj, dhe si rezultat ndodhi shtatzënia, dhe atëherë, ajo u largua me fëmijën në bark, Isain (alejhis selam), në një vend larg njerëzve dhe familjes së saj.
[12] Kur erdhi koha e lindjes së Isait, dhembjet e lindjes e detyruan Merjemen të mbështetej te trungu i një palme, dhe ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj dite dhe të isha harruar krejtësisht, e askush të mos dinte për mua!”
[13] Djali që lindi, Isai (alejhis selam), ose edhe Xhibrili, por mendimi më i saktë është se ishte djali i posalindur, i thirri nga poshtë saj: “Mos u pikëllo, se Zoti yt ka bërë poshtë teje një përrua, që më parë nuk kishte ujë por tani ka ujë nga i cili mund të pish…
[14] Dhe shkunde apo tërhiqe pak me dorë drejt teje trungun e palmës – e cila në atë kohë ishte e thatë – që ajo të rrëzojë mbi ty humra të buta e të freskëta!
-306-
- Ha, pi dhe gëzohu (me të posalindurin). Nëse sheh ndonjë nga njerëzit, thuaj: “Unë jam zotuar të agjëroj me heshtje për të Gjithëmëshirshmin, kështu që sot nuk do t’i flas asnjë njeriu.”[1]
- Dhe u kthye te populli i saj, duke mbajtur fëmijën në krahë. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka shumë të madhe![2]
- O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e pandershme.”[3]
- Ajo bëri me shenjë nga ai (foshnja). Ata thanë: “Si mund t’i flasim dikujt që është ende foshnjë në djep?”[4]
- Ai (Isai) tha: “Me të vërtetë, unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin) dhe më ka bërë profet.[5]
- Ai (Allahu) më ka bërë të begatë kudo që të jem dhe më ka porositur për namazin dhe zekatin sa të jem gjallë;[6]
- Dhe (më ka bërë) të sjellshëm ndaj nënës sime, dhe nuk më ka bërë arrogant të padëgjueshëm.[7]
- Paqja qoftë mbi mua ditën që kam lindur, ditën që do të vdes dhe ditën që do të ringjallem!”[8]
- Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata hedhin dyshime.[9]
- Allahut nuk i takon të marrë fëmijë. I Lartësuar është Ai! Kur Ai vendos diçka, mjafton të thotë “Bëhu!” dhe ajo bëhet.[10]
- (Vetë Isai thotë): “Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; prandaj vetëm Atë adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë!”[11]
- Por grupet u përçanë mes tyre (në lidhje me Isain). Mjerë për ata që mohojnë nga dëshmimi i një Dite të madhe (të Kiametit)![12]
- Sa mirë do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë, kur do të vijnë tek Ne! Por sot (në këtë botë), të padrejtët janë në një humbje të qartë![13]
[1] Isai apo engjëlli vazhdon t’i thotë Merjemes: “Ha nga hurmat, pi nga uji i përroit dhe qetësohu e gëzohu me fëmijën tënd të posalindur. Nëse sheh ndonjë njeri e të pyet rreth teje, thuaj: “Unë jam zotuar të agjëroj me heshtje për Allahun, të Gjithëmëshirshmin, kështu që sot nuk do t’i flas askujt prej njerëzve.” Heshtja dhe përmbajtja nga fjalët ishte adhurim në Ligjin e tyre, por nuk është e tillë në Ligjin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[2] Merjemja u kthye te njerëzit e saj nga vendi i largët ku kishte shkuar, duke mbajtur Isain (alejhis selam) në krahë. Ata i thanë: “O Merjeme! Ke bërë vërtet një të keqe shumë të madhe – ke bërë fëmijë jashtë martese!”
[3] O motra e njeriut të mirë, Harunit (një njeri i mirë e i ndershëm që adhuronte Allahun dhe i kishte dedikuar Atij të gjithë jetën, ashtu si Merjemja; e quajtën motër të tij në besim dhe virtyte, dhe jo se ishte motra e tij prej gjaku)! Babai yt nuk ka qenë burrë i keq dhe nuk bënte gjëra të turpshme e të pamoralshme, as nëna jote nuk ishte grua e pandershme dhe nuk bënte kurvëri.” Kështu që si ka mundësi që ti të bësh këtë gjë, dhe si të ka ardhur ky fëmijë?
[4] Merjemja bëri me shenjë nga i biri, Isai (alejhis selam), që t’i flisnin atij dhe të pyesnin atë, sepse ajo kishte vendosur të agjëronte nga të folurit, dhe ata e njihnin këtë lloj agjërimi dhe adhurimi. – Nga kjo kuptohet se ajo e dinte që Isai (alejhis selam) fliste që sa lindi, sepse i kishte folur më parë gjatë lindjes, dhe kjo forcon mendimin se ai që i foli Merjemes nga poshtë ishte Isai dhe jo Xhibrili, e Allahu e di më mirë. Njerëzit e saj i thanë me qortim dhe duke e akuzuar se ajo po tallej me ta: “Si mund t’i flasim një foshnje që është ende në djep dhe që ushqehet ende me qumështin e nënës?”
[5] Isai (alejhis selam), duke qenë foshnjë në djep, foli dhe u tha atyre: “Vërtet, unë jam rob i Allahut, i Cili ka vendosur të më japë Librin e Tij, Inxhilin, dhe më ka caktuar për të qenë i dërguari i Tij.
[6] Allahu më ka bërë të begatshëm dhe të dobishëm për njerëzit kudo që të jem, dhe më ka urdhëruar që të kryej rregullisht namazin dhe të jap zekatin, sa të jem gjallë në këtë botë. – Zekati, në këtë rast, ka dy kuptime: Zekati apo pastrimi i pasurisë, dhe kuptimi i dytë është pastrimi i trupit nga gjynahet, dhe në këtë rast kuptimi është: “Më ka porositur që të lë gjynahet dhe të largohem prej tyre.”
[7] Allahu më ka bërë të sjellshëm ndaj nënës sime, dhe nuk më ka bërë arrogant e mendjemadh, apo të pabindur e të padëgjueshëm.
[8] Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi mua në ditën që linda, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem, në ditën e Kiametit!” – Paqja dhe Siguria e Allahut kundër djallit dhe ushtrisë së tij, ka qenë mbi mua në ditën që linda, dhe qoftë mbi mua në ditën që do të vdes, dhe në ditën që do të ringjallem, në ditën e Kiametit; që të mos më kapë tmerri që do të kapë njerëzit në atë ditë për shkak të tmerreve që do të shohin! [Taberiu].
[9] Ky, për të cilin të treguam më sipër, o Muhamed, është Isai, biri i Merjemes. Ne të themi ty fjalën e vërtetë rreth tij, për të cilën hebrenjtë dhe të krishterët kanë dyshuar dhe kanë polemizuar, duke thënë se ai ka lindur jashtë martese apo se ai është bir i Allahut!
[10] Nuk i takon dhe nuk i përshtatet Allahut të Madhëruar që të ketë fëmijë nga krijesat dhe robërit e Tij – i Lartësuar dhe i Pastër është Ai nga kjo që thonë mohuesit (se Isai është biri i Zotit)! Kur Ai vendos për diçka të vogël apo të madhe, asgjë nuk e pengon që ta bëjë atë, mjafton që të thotë “Bëhu!” dhe ajo bëhet ashtu si e dëshiron Ai; dhe kështu e krijoi Isain (alejhis selam) pa baba, ashtu si krijoi edhe Ademin pa baba dhe pa nënë.
[11] Isai nuk është bir i Zotit, por ai është krijesë e Tij dhe vetë ai thotë: “Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, o njerëz, prandaj vetëm Atë adhuroni dhe askënd e asgjë tjetër! Kjo është rruga e drejtë e Allahut, për ndjekjen e të cilës Ai më ka urdhëruar; kush e ndjek këtë rrugë, do të shpëtojë dhe do të udhëzohet, sepse kjo është feja e Allahut, të cilën Ai ua ka urdhëruar të gjithë të dërguarve të Tij.
[12] Ithtarët e Librit prej të krishterëve dhe hebrenjve u ndanë në grupe për shkak të kundërshtimit mes tyre në lidhje me Isain (alejhis selam); disa prej të krishterëve e quajtën atë Zot, të tjerë e quajtën bir të Zotit, dhe të tjerë e quajtën të tretin e të treve (trinitet), i Lartësuar është Allahu nga ajo që ata thonë! Kurse hebrenjtë e quajtën të lindur jashtë martese, bir të Jusuf marangozit, dhe magjistar. Mjerë për të gjithë këta mohues të Allahut dhe të vërtetës së ardhur nga Allahu në lidhje me Isain (alejhis selam), nga dëshmia dhe prezantimi në ditën e madhe dhe të tmerrshme të Kiametit dhe Llogarisë së madhe para Allahut!
[13] Sa të forta do të jenë dëgjimet dhe shikimet e mohuesve të Allahut në ditën e Kiametit, kur të dalin para Allahut, por sot, në këtë botë, ata janë në një humbje të qartë, dhe nuk duan të dëgjojnë e të shohin provat dhe shpalljet e Allahut.
-307-
- Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e dëshpërimit, kur çështja të përmbushet, ndonëse tani ata janë në pakujdesi dhe ata nuk besojnë.[1]
- Me të vërtetë, Ne do e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet mbi të dhe te Ne do të kthehen të gjithë ata.[2]
- Dhe përmend në Libër Ibrahimin! Vërtet, ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.[3]
- Kur i tha babait të vet: “O babai im! Përse adhuron diçka që as nuk dëgjon, as nuk sheh, as nuk mund të të largojë ndonjë të keqe?[4]
- O babai im! Mua më ka ardhur prej dijes, çfarë ty nuk të ka ardhur, prandaj më ndiq mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë![5]
- O babai im, mos adhuro djallin! Me të vërtetë, djalli është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.[6]
- O babai im! Unë kam frikë se do të kapë ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi, dhe kështu do të bëhesh i shok i djallit (në Zjarr)!”[7]
- Ai (babai) tha: “Ti guxon të refuzosh zotat e mi, o Ibrahim?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të vras me gurë. Largohu prej meje për një kohë të gjatë!”[8]
- Ibrahimi tha: “Paqja qoftë mbi ty! Unë do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai ka qënë gjithnjë i Mirë me mua.[9]
- Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju lutni përveç Allahut; dhe do të vazhdoj t’i lutem Zotin tim, duke shpresuar se kurrë nuk do të zhgënjehem në lutjet që ia bëj Zotit tim.”[10]
- Pasi u largua nga ata dhe nga gjithçka që ata adhuronin përveç Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.[11]
- U dhuruam atyre nga mëshira Jonë dhe bëmë që ata të përmenden me nderime të larta.[12]
- Përmend në Libër edhe Musain! Me të vërtetë, Ai ishte i përzgjedhur, dhe ishte i dërguar e profet.[13]
[1] Paralajmëroji njerëzit – o i Dërguar – për Ditën e dëshpërimit, pikëllimit dhe pendesës për atë që kanë fituar dhe për atë që kanë humbur me veprat që kanë bërë, kur e gjithë çështja të përmbushet dhe të gjykohet mes krijesave e të bëhet ndarja mes tyre për t’u futur besimtarët në xhenet dhe mohusit në zjarr; ndonëse sot në këtë botë ata janë në pakujdesi ndaj asaj me të cilën paralajmërohen, dhe nuk e besojnë atë, as nuk bëjnë vepra të mira.
[2] Me të vërtetë, Ne jemi Trashëguesit e Tokës dhe të gjithçkaje që gjendet mbi të – me zhdukjen e tyre dhe qëndrimin Tonë pas tyre – dhe tek Ne është kthimi i të gjithë atyre, idhujtarëve prej popullit tënd, o Muhamed, dhe i të gjithë njerëzve e krijesave që janë dhe që do të jenë mbi Tokë deri në Ditën e Kiametit, për të dhënë llogari dhe për të marrë shpëblimin sipas veprave që kanë bërë.
[3] Dhe përmendi njerëzve, o Muhamed, në këtë Kuran, historinë e Ibrahimit (alejhis selam), i cili ishte një njeri i së vërtetës dhe i sinqertë – në gjithçka që fliste, lajmëronte, apo vepronte – dhe ishte një nga lajmëtarët e Allahut me vendin më të lartë, të cilit Allahu i kishte zbritur shpalljen e Tij.
[4] Kujto kur Ibrahimi i tha babait të tij, Azerit: “Përse adhuron diçka që as nuk dëgjon, as nuk shikon, as nuk të largon ndonjë të keqe apo të plotësojë ndonjë nevojë?”
[5] O babai im, Allahu më ka dhënë prej dijes, çfarë nuk ta ka dhënë ty, prandaj më dëgjo dhe më paso mua në atë që të them, sepse unë të drejtoj në rrugën e drejtë, në të cilën nuk mund të humbësh.
[6] O babai im, mos iu bind shejtanit duke adhuruar idhujt, sepse me të vërtetë, shejtani është gjithnjë i pabindur dhe kryeneç në bindjen ndaj Allahut!
[7] O babai im! Unë kam frikë se mos vdes duke qenë mohues i Allahut dhe idhujtar, dhe atëherë do të kapë një dënim nga Allahu dhe do të jesh shok i shejtanit në Zjarrin e Xhehenemit!
[8] Azeri i tha Ibrahimit (alejhis selam): “Si guxon të refuzosh adhurimin e zotave të mi, o Ibrahim? Nëse nuk heq dorë nga sharja e zotave të mi, unë do të të vras me gurë deri sa të vdesësh, kështu që ik nga unë dhe mos më tako as mos më fol për një kohë të gjatë!”
[9] Ibrahimi i tha të atit: “Nga unë do të kesh paqe dhe nuk do të shohësh nga unë atë që urren. Gjithësesi, unë do t’i lutem Zotim tim që të të falë e të udhëzojë, sepse vërtet, Zoti im ka qënë gjithnjë i Mirë, i Mëshirshëm dhe i Butë me mua, dhe gjithnjë i është përgjigjur lutjes sime.
[10] Unë po largohem nga ju dhe nga zotat tuaj që ju lutni e adhuroni në vend të Allahut, dhe do të vazhdoj t’i lutem Zotit tim me sinqeritet pa i bërë asgjë shok. Shpresoj të mos zhgënjehem kurrë nga lutjet që i bëj Zotit tim, dhe shpresoj që Ai t’i përgjigjet të gjitha lutjeve të mia.
[11] Pasi Ibrahimi u largua nga babai dhe populli i tij idhujtar, dhe nga idhujt që ata adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, birin e Is’hakut, dhe që të dy ata i bëmë lajmëtarë Tanë.
[12] Të gjithë atyre – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit – Ne u dhuruam nga mëshira Jonë e pafundme, dhe bëmë që ata të përmenden me nderime të larta në mesin e njerëzve të çdo kohe, deri në ditën e Kiametit.
[13] Përmend në Kuran, o Muhamed, edhe historinë e Musait (alejhis selam), i cili ishte i përzgjedhur nga Allahu, dhe ishte i dërguar dhe profet; ishte një nga pesë të dërguarit e vendosmërisë (ulul azm).
-308-
- Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur dhe e afruam duke i folur drejtpërdrejt.[1]
- Dhe, nga mëshira Jonë, Ne i dhuruam atij vëllanë e tij, Harunin, si profet.[2]
- Përmend në Libër Ismailin! Me të vërtetë, ai ishte mbajtës i premtimit, dhe ishte i dërguar e profet.[3]
- Ai e urdhëronte familjen e vet për faljen e namazit dhe dhënien e zekatit, dhe Zoti i tij ishte i kënaqur me të.[4]
- Përmend në Libër edhe Idrizin! Me të vërtetë, ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.[5]
- Dhe Ne e ngritëm atë në një vend të lartë.[6]
- Këta ishin nga profetët, të cilëve Allahu u dhuroi mirësi, nga pasardhësit e Ademit, nga ata që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit (Jakubit) dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur atyre iu lexoheshin ajetet e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin.[7]*
- Por ata u pasuan nga breza që e humbën namazin dhe ndoqën epshet e veta; dhe kështu, së shpejti do të përballen me të keqen;[8]
- përveç atyre që pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira; këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie;[9]
- në kopshtet e përjetësisë (Aden), të cilat i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet në mirëbesim (pa i parë). Me siguri, premtimi i Tij do të vijë patjetër.[10]
- Atje nuk do të dëgjojnë asnjë fjalë kot, por vetëm përshëndetje paqeje; dhe ushqimi i tyre atje do të jetë në mëngjes dhe në mbrëmje.[11]
- Ky është Xheneti, të cilin Ne do ua japim në trashëgim atyre që janë të devotshëm nga robërit Tanë.[12]
- (Xhebraili thotë:) “Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është mes këtyre. Dhe Zoti yt nuk harron kurrë.[13]
[1] Ne e thirrëm Musain nga ana a djathtë e malit Tur – që gjendej në të djathtë të Musait – dhe e afruam atë për t’i folur në një bisedë të drejtpërdrejtë. – Kjo provon cilësinë e të folurit të Allahut të Madhëruar, ashtu si i përshtatet Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij.
[2] Nga Mëshira Jonë, Ne i dhuruam Musait vëllanë e tij, Harunin, si profet, për ta ndihmuar dhe përkrahur Musain në thirrjen e tij.
[3] Përmend, o Mahamed, në këtë Kuran edhe historinë e Ismailit (alejhis selam). Me të vërtetë, ai ishte mbajtës i premtimit dhe kurrë nuk e thyente premtimin që jepte. Ai ishte i dërguar i Allahut dhe lajmëtar i Tij.
[4] Ismaili (alejhis selam) e urdhëronte familjen dhe popullin e tij për faljen e namazit dhe dhënien e zekatit, dhe Zoti i tij ishte i kënaqur me të dhe veprën e tij.
[5] Përmend në këtë Kuran, o Muhamed, edhe historinë e Idrizit (alejhis selam). Ai ishte njeri i së vërtetës, në fjalë dhe në vepër, dhe ishte profet, të cilit i shpallej nga Allahu.
[6] Ne e kemi ngritur atë në një vend të lartë nderi dhe përmendje. Në disa transmetime thuhet se Allahu e ka ngritur atë të gjallë ne qiellin e katërt.
[7] Këta, për të cilët të treguam më sipër, o Muhamed, ishin nga profetët të cilëve Allahu u dhuroi mirësi të madhe me Bujarinë dhe Suksesin e Tij, duke i bërë ata profet nga pasardhësit e Ademit (Idrizi), nga pasardhësit e atyre që Ne i mbartën me Nuhun në anije (Ibrahimi), nga pasardhësit e Ibrahimit (Ismaili, Is’haku dhe Jakubi), të Izraelit (Izraeli është Jakubi, dhe pasardhësit e tij ishin Musai, Haruni, Zekerija, Jahja dhe Isa, që u përmendën në këtë sure), dhe nga ata që Ne i udhëzuam në besimin e vërtetë dhe i zgjodhëm për të qënë të dërguarit dhe lajmëtarët Tanë tek njerëzit. Kur atyre u lexoheshin ajetet e të Gjithëmëshirshmit, ku përmendej Njësimi i Allahut dhe provat e Tij, ata binin në sexhde të nënshtruar para Allahut dhe me madhërim ndaj Tij, duke qarë nga madhërimi dhe dashuria për Të. * Ky është një nga ajetet e sexhdes.
[8] Pas atyre të dërguarve, të cilëve Allahu u dhuroi mirësi, erdhën breza të këqinj, të cilët e humbën namazin duke e lënë tërësisht apo duke e cënuar apo devijuar atë, dhe ndoqën epshet dhe kënaqësitë e veta; dhe kështu, së shpejti ata do të përballen me të keqen, humbjen dhe dënimin në Xhehenem.
[9] Por, ata që pendohen prej tyre për gjynahun e vet, që besojnë Zotin e tyre dhe që bëjnë vepra të mira vërtetuese të pendimit të tyre; këtyre Allahu do ua pranojë pendimin dhe ata do të hyjnë në xhenet së bashku me besimtarët, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i veprave të tyre të mira.
[10] Ata që pendohen dhe bëjnë vepra të mira do të hyjnë në kopshtet e përjetësisë – xhenetet e Adnit – të cilat i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Tij në mirëbesim, duke qenë se ata nuk i kanë parë këto kopshte, por megjithatë i kanë besuar sepse kanë besuar Zotin e tyre. Nuk ka dyshim se premtimi i Allahut për robërit e Tij do të përmbushet dhe atyre do t’u vijë xheneti dhe Allahu do i fusë ata në të.
[11] Ata që do të hyjnë në Xhenet nuk do të dëgjojnë atje fjalë boshe dhe të kota, por do të dëgjojnë të përshëndeten me selam nga engjëjt; dhe ushqimi i tyre atje do të jetë i përhershëm, çfarë të duan dhe kur të duan, mëngjes e mbrëmje. Në xhenet nuk do të ketë natë apo ditë, por vetëm dritë, sepse nuk ka djell apo hënë, por ky përshkrim bëhet me atë që njohin njerëzit në dynja, prej kohës së mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhe një distancë e tillë kohore mund të jetë edhe në xhenet mes vakteve të ngrënies dhe pirjes, e Allahu e di më mirë.
[12] Ky që u përshkrua më sipër është xheneti, të cilin Ne do ua japim ta trashëgojnë vetëm ata që janë të devotshëm nga robërit Tanë; të cilët zbatojnë urdhrat Tona dhe i largohen ndalesave Tona, dhe janë të përkushtuar ndaj Nesh.
[13] Allahu urdhëron Xhibrilin t’i thotë Muhamedit (salallahu lëjhi ue selem): “Ne engjëjt, nuk zbresim nga qielli në Tokë veçse me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh prej të ardhmes dhe botës tjetër, gjithçka që është pas nesh prej asaj që ka kaluar nga kjo botë, dhe gjthçka që është mes kësaj bote dhe botës tjetër (prej asaj që ka mbetur nga kjo botë deri në ditën e Kiametit). Pra, e gjithë çështja i takon Allahut, qoftë në lidhje me kohën apo me vendin, dhe Zoti yt, o Muhamed, nuk harron kurrë asgjë, por vepron me urtësinë e Tij absolute. Përmendet se ky ajet ka zbritur për shkak se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) priste t’i vinte shpallja nëpërmjet Xhibrilit më shpesh, por ai nuk erdhi për disa ditë; dhe kur erdhi, i Dërguari i tha Xhibrilit: “Përse nuk na viziton më shpesh se kaq?” Atëherë Allahu zbriti këtë ajet, për të thënë që e gjithë çështja i takon vetëm Allahut dhe se Allahu nuk harron asgjë, por vepron me dijen dhe urtësinë e Tij asbolute mes krijesave të Tij, ashtu si do Ai, i Lartëmadhëruari.
-309-
- Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje midis tyre, prandaj vetëm Atë adhuro dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Tij. A njeh ti ndokënd tjetër me Emrin e Tij (të ngjashëm me Të)?!”[1]
- Njeriu thotë: “Pasi të vdes, a do të nxirrem vërtet i gjallë përsëri?”[2]
- A nuk e kujton njeriu se Ne e kemi krijuar atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë?![3]
- Për Zotin tënd (O Muhamed)! Ne do t’i tubojmë ata bashkë me djajtë, pastaj do t’i sjellim rreth Xhehenemit të gjunjëzuar![4]
- Pastaj, nga çdo grup do të nxjerrim ata që kanë qenë më të pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.[5]
- Dhe Ne e dimë më së miri se kush janë ata që e meritojnë më shumë të digjen në të.[6]
- Nuk ka asnjë nga ju që nuk do të kalojë tek ai (Xhehenemi). Ky është një dekret që Zoti yt do ta përmbushë patjetër.[7]
- Pastaj, Ne do t’i shpëtojmë ata që ruheshin, kurse të padrejtët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.[8]
- Kur atyre u lexohen vargjet Tona të qarta, ata që mohuan u thonë atyre që kanë besuar: “Cili prej dy grupeve tona ka banim më të mirë dhe kuvend më të lartë?”[9]
- Por sa e sa popuj kemi shkatërruar para tyre, të cilët kanë pasur orendi më luksoze dhe kanë qenë më të pashëm![10]
- Thuaj (o Muhamed): “Atyre që janë në humbje, i Gjithëmëshirshmi le t’u japë afat, derisa të shohin atë me të cilën kërcënohen: ose dënimin (në këtë botë) ose Orën (e Kiametit). Atëherë do ta mësojnë se kush ka banim më të keq dhe ushtri më të dobët.”[11]
- Allahu ua shton udhëzimin atyre që janë udhëzuar drejt dhe, veprat e mira të përhershme, janë më të mira te Zoti yt në shpërblim dhe kanë përfundim më të mirë.[12]
[1] Zoti yt nuk harron kurrë, o Muhamed, sepse Ai është Zoti i qiejve, Tokës dhe gjithçkaje që gjendet midis tyre, përndryshe këto nuk do të mund të qëndronin, por do të shkatërroheshin sikur të mos i mbante dhe ruante Ai për një çast të vetëm; prandaj vetëm Atë vazhdo të adhurosh, vazhdo të përulesh para urdhrit dhe ndalesës së Tij, dhe bëhu i qëndrueshëm dhe i durueshëm në adhurimin dhe zbatimin e urdhrit të Tij, ti – o i Dërguar – dhe ata që të ndjekin ty. A njeh ti ndokënd tjetër me Emrin e Allahut, që është i ngjashëm me Allahun në Veten e Tij, Emrat e Tij, Cilësitë e Tij apo veprat e Tij?! Sigurisht që jo.
[2] Njeriu mohues i Allahut dhe mohues i ringjalljes pas vdekjes thotë: “Pasi t ëkem vdekur dhe të jem bërë pluhur, a thua do të nxirrem përsëri i gjallë nga varri?!”
[3] Si e harron ky njeri mohues veten e tij? A nuk e kujton ai se Ne e kemi krijuar atë për herë të parë, pa ndonjë shembull të mëparshëm, kur ai nuk ishte asgjë dhe nuk ekzistonte? Atëherë si e mohon ai ringjalljen dhe rikrijimin, pasi që ka qenë një herë në ekzistencë?! A nuk është ringjallja dhe rikrijimi më i lehtë se krijimi për herë të parë?!
[4] Për Zotin tënd, o Muhamed! Ne do t’i tubojmë mohuesit e ringjalljes në ditën e Kiametit bashkë me shejtanët e tyre, pastaj që të gjithë ata do i sjellim rreth Xhehenemit duke qenë të gjunjëzuar (të rënë në gjunjët e tyre, të përgjunjur), për shkak të tmerrit të madh, nga i cili nuk mund të qëndrojnë në këmbë.
[5] Pastaj, nga çdo grup i banorëve të zjarrit, do të shkëpusim ata që kanë qenë më të pabindur ndaj Allahut dhe më kundërshtues të Tij, për të filluar me ta dënimin në zjarr.
[6] Ne e dimë më së miri se cili prej këtyre që i nxorrëm nga çdo grup e meriton më shumë dënimin më të rëndë në zjarr, dhe me ta do të fillojmë.
[7] Asnjë nga ju, o njerëz, nuk do të shpëtojë pa kaluar nga zjarri i Xhehenemit, qoftë duke kaluar mbi urën e Siratit të vendosur mbi të, apo duke hyrë në të; secili sipas veprave që ka bërë në këtë botë. Ky është një vendim i paracaktuar dhe i shënuar në Librin El Leuh el Mahfudh nga Zoti yt, o Muhamed, i cili do ta përmbushë atë patjetër.
[8] Pasi të gjithë njerëzit t’i paraqiten zjarrit të Xhehenemit, Ne do të shpëtojmë prej tyre vetëm ata që i ruheshin Zotit të tyre, duke besuar dhe adhuruar vetëm Atë, dhe duke iu bindur Atij në urdhrat dhe ndalesat e Tij; kurse ata që i kanë bërë padrejtësi vetvetes me mohimin dhe kundërshtimin e Allahut dhe me adhurimin e të tjerëve përveç Tij, do t’i lëmë përgjithmonë në Zjarr, të gjunjëzuar e të përçmuar.
[9] Kur njerëzve u lexohen shpalljet dhe provat Tona që i akemi zbritur Muhamedit, të cilat janë të qarta për ata që mendojnë, ata që mohuan Allahun, Librin e Tij dhe provat e Tij, u thonë atyre që besuan, shokëve dhe ndjekësve të Muhamedit: “Cili prej dy grupeve tona ka shtëpi e jetesë më të mirë dhe kuvend e rreth shoqëror më të lartë e më të madh në numër; grupi ynë apo grupi juaj?”
[10] Sa e sa popuj para këtyre mohuesve mendjemëdhenj kemi shkatërruar, o Muhamed, madje ata të parët kanë pasur kushte jetese dhe orendi shtëpiake shumë herë më luksoze dhe kanë qenë shumë herë më të pashëm në krijim se këta; por kjo gjë nuk i mbrojti ata nga dënimi Ynë, kështu që Ne i shkatërruam pasuritë e tyre dhe i ndryshuam pamjet e tyre!
[11] Thuaju këtyre idhujtarëve dhe mohuesve, o Muhamed: “Atij që është në humbje prej dy grupeve tona, i Gjithëmëshirshmi le t’i japë afat që ai të vazhdojë në humbje e të ngarkohet me mëkatet e tij, deri sa të vijë urdhri i Allahut me të cilin ata kërcënohen: ose me dënimin e tyre në këtë botë, ose me daljen para Zotit të tyre në ditën e Kiametit dhe dënimin e Tij të përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit. Vetëm atëherë do ta mësojnë se cili prej dy grupeve (besimtarët apo mohuesit) ka banim më të keq dhe ushtri e rreth më të dobët; dhe cili prej tyre do të ketë banim më të mirë dhe tubim më të lartë!”
[12] Allahu ua shton udhëzimin edhe më shumë atyre që janë udhëzuar në fenë e Tij, me ripërtëritjen e besimit që u ndodh atyre gjatë zbatimit të ligjeve të Allahut dhe, veprat e mira që mbeten përherë – veçanërisht madhërimi i Allahut me fjalët: “Subhanallah, uel hamdulilah, ue la ilahe il-la Allah, ue Allahu ekber, ue la haule ue la kuvete il-la bilah” (I Pastër nga çdo e metë dhe i Lartësuar është Allahu! Falënderimi i përket vetëm Allahut. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Allahu është më i Madhi! Nuk ka fuqi e ndryshim veçse me Allahun dhe nga Allahu.) – këto vepra të mira të përhershme kanë shpërblim më të mirë te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë se sa banimet dhe kuvendet e këtyre idhujtarëve më të cilat u mburren besimtarëve në këtë botë.
-310-
- A e sheh atë që i mohon provat Tona dhe thotë: “Patjetër që mua do të më jepet edhe pasuri, edhe fëmijë (nëse ka botë tjetër)”?![1]
- Mos ka parë të fshehtën apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi?[2]
- Kurrsesi! Ne do ta shkruajmë atë që ai thotë dhe do t’i shtojmë atij dënim mbi dënim.[3]
- Dhe do të trashëgojmë gjithçka me të cilat mburret, dhe ai do të vijë tek Ne i vetëm.[4]
- Ata kanë marrë zota të tjerë, në vend të Allahut, për t’i pasur mbrojtës.[5]
- Por jo! Ata (zota) do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të kthehen kundër tyre.[6]
- A nuk e sheh se Ne i dërgojmë djajtë te mohuesit, për t’i cytur ata me cytje të vazhdueshme?[7]
- Pra, ti (Muhamed) mos u nxito kundër tyre, sepse me të vërtetë, Ne ua numërojmë ditët atyre me numërim.[8]
- Ditën, kur Ne do t’i tubojmë të devotshmit te i Gjithëmëshirshmi, si një delegacion i nderuar;[9]
- dhe do t’i ngasim kriminelët në Xhehenem, si një tufë e etur;[10]
- askush nuk do ta ketë të drejtën e ndërmjetësimit, përveç atij që ka marrë premtim te i Gjithëmëshirshmi.[11]
- Dhe thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë”![12]
- Keni thënë vërtet diçka fyese shumë të madhe![13]
- Qiejt gati sa nuk shpërthejnë prej kësaj, Toka gati sa s’çahet dhe malet sa s’rrëzohen me forcë,
- ngaqë ata i veshin fëmijë të Gjithëmëshirshmit.[14]
- Por nuk i ka hije (Madhështisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë fëmijë.[15]
- Nuk ka asnjë që gjendet në qiej e në Tokë që nuk do t’i vijë të Gjithëmëshirshmit si rob (i nënshtruar).[16]
- Vërtet, Ai e njeh plotësisht gjithësecilin prej tyre dhe i ka të numëruar të gjithë saktësisht.[17]
- Secili prej tyre do t’i vijë Atij në Ditën e Kiametit, krejtësisht i vetëm.[18]
[1] A e sheh, o Muhamed, atë që i mohon provat dhe shpalljet tona, El As ibën Vail-in dhe ata që janë si ai, dhe megjithatë thotë: “Patjetër që do të më jepet përsëri pasuri e madhe dhe fëmijë të shumtë në botën tjetër, nëse do të ketë botë tjetër”?!
[2] Mos e ka parë të fshehtën ky dhe ka mësuar se në botën tjetër do të ketë pasuri e fëmijë, megjithëse e mohon dhe nuk e beson atë në të njëjtën kohë, apo mos ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi meqenëse e ka besuar Atë dhe i është bindur Atij në gjithçka ka urdhëruar apo ndaluar?!
[3] Assesi, nuk është ashtu si thotë ky mohues; ai nuk ka asnjë lloj njohurie dhe asnjë lloj premtimi! Ne do të shkruajmë gjithçka që ai thotë prej gënjeshtrës dhe shpifjes ndaj Allahut, dhe për këtë do i shtojmë dënim tjetër mbi dënimin për mosbesimin e tij, në botën tjetër.
[4] Ne do ta trashëgojmë pasurinë dhe fëmijët e tij, dhe në ditën e Kiametit ai do të vijë tek Ne i vetëm, pa pasuri dhe pas fëmijë.
[5] Idhujtarët kanë marrë idhuj për t’i adhuruar në vend të Allahut, apo përkrah Allahut, që t’i kenë ata mbrotjës nga dënimi i Allahut dhe për t’u forcuar me to!
[6] Nuk do të jetë ashtu si shpresojnë ata! Zotat e tyre nuk do të jenë ndihmës e mbrojtës të tyre në ditën e Kiametit, madje ata do ta mohojnë adhurimin që i kanë bërë idhujtarët, dhe do kthehen kundër tyre me dëshminë e tyre dhe përgënjeshtrimin e idhujtarëve, në mënyrë të kundërt të asaj që ata mendonin.
[7] A nuk e sheh, o Muhamed, se Ne i kemi dhënë pushtet shejtanëve mbi mohuesit e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe ata i nxisin ata për të këqia e për në humbje, dhe i bezdisin ata me cytje të vazhdueshme e të pandërprerë?
[8] Mos u nxito, o Muhamed, duke kërkuar dënimin e shpejtë të këtyre mohuesve e idhujtarëve, sepse Ne i numërojmë ditët – madje edhe frymëmarrjet e tyre – si dhe veprat e tyre me një numërim të saktë, që më pas t’i ndëshkojmë për të gjitha ato në botën tjetër, dhe nuk e kemi lënë dënimin e tyre të shpejtë në këtë botë veçse për urtësi që i dimë Ne.
[9] Ditën kur Ne do i tubojmë ata që i frikësoheshin Allahut në dynja, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, për të dalë para të Gjithëmëshirshmit si një delgacion i nderuar, duke qenë të kaluar (mbi kalë apo kafshë tjetër);
[10] Kurse kriminelët mohues të Allahut dhe idhujtarë e mëkatarë, do i ngasim me forcë në Xhehenem, duke ecur në këmbë, si tufë kafshësh e etur;
[11] Atë ditë askush prej mohuesve e idhujtarëve nuk do ta ketë të drejtën e ndërmjetësimit për askënd, por atë të drejtë do e ketë vetëm ai që ka marrë premtim nga Allahu për të, e ata janë besimtarët e sinqertë që kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilët do të ndërmjetësojnë atje për njëri-tjetrin, me lejen e Allahut.
[12] Mohuesit prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve që thonë se engjëjt janë vajzat e Allahut, thanë se Allahu ka fëmijë!
[13] Ju që e thoni këtë fjalë – se Allahu ka fëmijë – keni thënë vërtet një fjalë fyese shumë të madhe për Allahun, Zotin e botëve, që nuk ka nevojë për asgjë dhe askënd nga krijesat e Tij, dhe as për bashkëshrote apo fëmijë – i Pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë!
[14] Qiejt gati sa nuk shpërthejnë nga rëndesa dhe shëmtia e asaj fjale, Toka gati sa nuk çahet më dysh dhe malet gati sa nuk rrëzohen me forcë të thërrmuar, nga zemërimi i madh për hir të Allahut, ngaqë ata i veshin Krijuesit të Gjithëmëshirshëm fëmijë – i Lartë është Ai nga ajo që i veshin mohuesit!
[15] Por nuk i ka hije Madhështisë së të Gjithëmëshirshmit që të ketë fëmijë, sepse që të kesh fëmijë tregon mangësi dhe nevojë, kurse Allahu i Madhëruar është i Pasuri që nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, i Lavdëruari Absolut, i Pastërti nga çdo mangësi.
[16] Nuk ka asnjë engjëll që gjendet në qiej, dhe asnjë njeri e xhinë që gjendet në Tokë, veçse do t’i vijnë si rob të nënshtruar Zotit të tyre në ditën e Kiametit, duke pohuar që janë robër të Tij, dhe prej tyre edhe Uzejri dhe Isai, për të cilët thonë se janë fëmijë të Allahut.
[17] Allahu i njeh mirë dhe plotësisht të gjitha krijesat e Tij, një e nga një, dhe i ka të numëruar të gjithë ata me saktësi – askush prej tyre nuk i shpëton Atij.
[18] Çdonjëri prej krijesve do të dalë para Zotit në Ditën e Kiametit duke qenë krejtësisht i vetëm, pa asnjë pasuri, fëmijë, apo ndihmës që ta mbrojë nga Allahu dhe gjykimi i Tij.
-311-
- Me të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri të vërtetë.[1]
- Vërtet, Ne e kemi bërë të lehtë këtë (Kuran), në gjuhën tënde (o Muhamed), që nëpërmjet tij, t’u japësh lajmin e mirë të devotshmëve dhe të paralajmërosh njerëzit që janë kundërshtues.[2]
- Sa e sa popuj kemi shkatërruar para tyre! A sheh tani ndonjërin prej tyre, apo a dëgjon ndonjë pëshpëritje sado të vogël të tyre?![3]
[1] Atyre që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe bëjnë vepra të mira sipas Ligjit të Allahut, Allahu do t’u dhurojë dashuri të vërtetë në zemrat e robërve të Tij në këtë botë; do ta duan njëri-tjetrin, do të jenë të ngrohtë me njëri-tjetrin, dhe do t’i dojë Allahu gjithashtu.
[2] Ne e kemi bërë të lehtë këtë Kuran, në gjuhën tënde arabe, o Muhamed, në mënyrë që nëpërmjet tij t’u japësh lajmin e mirë të hyrjes në Xhenet të devotshmëve nga ndjekësit e tu, të cilët i ruhen dënimit të Allahut duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij; dhe që të paralajmërosh me dënimin e Allahut njerëzit kundështues nga populli yt, dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre, duke kundërshtuar të vërtetën që është nga Allahu me të kotën dhe të pavërtetën e mendjes së tyre të mangët.
[3] Ne kemi shkatërruar dhe zhdukur shumë popuj para popullit tënd, o Muhamed, nga të cilët ti nuk sheh askënd sot dhe nuk dëgjon as përshpëritjen më të vogël të askujt prej tyre; po kështu edhe mohuesit prej popullit tënd, mund t’i shkatërrojmë e t’i zhdukim ashtu siç bëmë me mohuesit prej popujve që kanë qenë para tyre. Ky është kërcënim dhe paralajmërim për shkatërrimin me zbritjen e dënimit kundër përgënjeshtruesve dhe kundërshtuesve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse ata nuk nxitojnë të pendohen dhe të kthehen tek Allahu para se t’iu vijë dënimi.