SURJA “EL ENBIJA” – TË DËRGUARIT

(Surja Nr. 21, Mekase, 112 ajete)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Njerëzve u është afruar koha e dhënies llogari, por ata vazhdojnë të jenë në shkujdesje, me shpinë të kthyer.[1]
  2. Sa herë që atyre u vjen një përkujtim i ri nga Zoti i tyre, ata e dëgjojnë atë duke u tallur;[2]
  3. me zemrat e tyre të shpërqendruara. Ata që bëjnë padrejtësi (idhujtarët) bisedojnë fshehurazi: “A nuk është ky (Muhamedi) njeri si edhe ju? A do të shkoni pas magjisë (së tij), ndërkohë që ju e shihni?[3]
  4. Ai (i Dërguari) tha: “Zoti im e di plotësisht se çfarë flitet në qiell apo në Tokë, dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.”[4]
  5. Madje ata thonë: “Ky (Kuran) është përbërje ëndrrash të ngatërruara! Jo, ai (Muhamedi) e ka trilluar atë! Jo jo, ai është poet! Le të na sjellë një mrekulli, ashtu si u dërguan të dërguarit e mëparshëm!”[5]
  6. Asnjë qytet nga ato që Ne kemi shkatërruar para këtyre nuk ka besuar, a do të besojnë këta?[6]
  7. Ne nuk kemi dërguar para teje (o Muhamed) veçse burra, të cilëve u kemi shpallur (shpalljen Tonë). Pyetni njerëzit e Shkrimeve (të mëparshme), nëse ju (mohues) nuk e dini![7]
  8. Ne nuk i bëmë ata (të dërguarit) trupa që nuk hanë ushqim, as nuk ishin të pavdekshëm.[8]
  9. Pastaj, ua përmbushëm atyre premtimin, duke i shpëtuar ata bashkë me ata që deshëm, ndërsa ata që e tepruan i shkatërruam.[9]
  10. Ne ju kemi zbritur juve një Libër, në të cilin ka përkujtesë për ju. A nuk e kuptoni?[10]

[1] Njerëzve u është afruar shumë koha për dhënien e llogarisë së madhe (në ditën e Llogarisë) për atë që kanë vepruar në dynja, por megjithatë, mohuesit vazhdojnë të jenë të shkujdesur dhe të pavëmendshëm ndaj kësaj të vërtete, me shpinën të kthyer ndaj këtij paralajmërimi, kështu që nuk mendojnë e nuk përgatiten aspak për të, nga injoranca dhe mosnjohja e asaj që i pret!

[2] Sa herë që mohuesve u lexohet diçka e re që Allahu i shpall Muhamedit nga ky Kuran për të qenë përkujtim dhe paralajmërim për ta, ata e dëgjojnë atë duke luajtur e duke u tallur me të.

[3] Mohuesit dhe idhujtarët e dëgjojnë atë që shpallet nga Kurani duke u tallur dhe me zemrat e tyre krejtësisht të shpërqendruara – nuk mendojnë dhe nuk analizojnë asgjë nga provat që Allahu u sjell tyre. Madje, ata kurashitë që bënë padrejtësi me idhujtarinë, mohimin dhe fjalët e tyre ndaj të dërguarit të Allahut, bisedojnë fshehurazi duke i thënë njëri-tjetrit: “A nuk është ky, që pretendon se është i dërguar nga Allahu – Muhamedi, njeri ashtu si edhe ju, dhe nuk ka asnjë dallim nga ju? A do të ndiqni magjinë e tij – Kuranin – ndërkohë që ju e shihni se ai është njeri dhe e dini se Kurani i tij është magji?”

[4] I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ktheu çështjen tek Allahu dhe u tha mohuesve dhe përgënjeshtruesve të tij: “Zoti im e di mirë gjithçka që flitet në qiell apo në Tokë, dhe e di mirë se çfarë flisni ju fshehurazi me njëri-tjetrin, sepse Ai i dëgjon të gjitha fjalët tuaja dhe i di mirë të gjitha gjendjet tuaja, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.” Ky ishte kërcënim për mohuesit dhe idhujtarët e Mekës, në mënyrë që të ndryshonin dhe të merrnin rrugën e drejtë të Zotit.

[5] Mohuesit dhe idhujtarët nuk e besuan urtësinë e Kuranit dhe se ai është vërtet shpallje nga Allahu që i shpallet Muhamedit, madje disa prej tyre thanë: “Ky Kuran është një përzierje ëndrrash të ngatërruara që i ka parë Muhamedi, dhe nuk kanë asnjë përmbajtje reale!” Të tjerë thanë: “Jo, por atë e ka trilluar dhe sajuar Muhamedi dhe nuk është assesi shpallje nga Zoti!” Të tjerë thanë: “Jo jo, por Muhamedi është poet dhe Kuranin e thur vetë ai si poezi, përndryshe le të na sjellë një mrekulli të prekshme si mrekullitë me të cilat ishin dërguar të dërguarit e mëparshëm, si deveja e Salihut apo mrekullitë e Musait, nëse do që t’i besojmë atij!”

[6] Para mohuesve të Mekes, asnjë qytet, banorët e të cilëve u kërkuan mrekulli të dërguarve të tyre dhe mrekullitë që kërkuan u erdhën, por ata i mohuan ato, kështu që Ne i shkatërruam ata, a thua këta idhujtarë të Mekes do të besojnë nëse u sjellim mrekullitë që ata kërkojnë? – Sigurisht që nuk do të besojnë, prandaj nuk ua sjellim ato, përndryshe do i shpejtojmë dënimin dhe do i shkatërrojmë të gjithë, si ata para tyre.

[7] Para teje, o Muhamed, Ne nuk kemi dërguar veçse burra nga njerëzit, të cilëve u kemi shpallur shpalljet Tona, dhe nuk kemi dërguar asnjëherë engjëj si të dërguar tek njerëzit. Nëse ju, mohues e idhujtarë të Mekes, nuk e dini këtë, atëherë pyesni dijetarët që kanë njohuri për Shkrimet e mëparshme qiellore, Teuratin dhe Inxhilin.

[8] Ne nuk i bëmë të dërguarit para Muhamedit trupa të mbinatyrshëm që nuk kanë nevojë për ushqim, as nuk ishin të pavdekshëm në këtë botë.

[9] Pastaj, Ne ua përmbushëm premtimin Tonë të dërguarve Tanë dhe pasuesve të tyre që deshëm të udhëzonim prej popujve të tyre, duke i shpëtuar ata dhe duke u dhënë fitoren mbi armiqtë e tyre, ndërsa ata që e tepruan me mohimin dhe përgënjeshtrimin e tyre ndaj Nesh dhe të dërguarve Tanë, Ne i shkatërruam totalisht.

[10] Ne ju kemi zbritur juve, o kurashit dhe banorë të Mekes, këtë Kuran, në të cilin gjendet krenaria juaj dhe respekti për ju, nëse ju do e besoni dhe do merrni mësim prej tij. A nuk e kuptoni se me çfarë ju ka privilegjuar Zoti juaj ndaj popujve të tjerë?

-322-


  1. Sa e sa qytete, që kanë qenë të padrejtë (mohues), i kemi shkatërruar; dhe pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë![1]
  2. Kur e ndienin dënimin Tonë, ata iknin me vrap.[2]
  3. “Mos ikni! Kthehuni në luksin dhe në pallatet tuaja, që të mund t’ju kërkojnë (nevojtarët).”[3]
  4. Ata thanë: “Mjerë ne! Me të vërtetë, kemi qenë të padrejtë!”[4]
  5. Dhe vazhduan ta përsëritnin këtë fjalë, derisa Ne i lamë të korrur, të fikur (pa jetë).[5]
  6. Ne nuk e krijuam qiellin, Tokën dhe gjithçka gjendet mes tyre, për të luajtur.[6]
  7. Sikur të donim të argëtoheshim, do ta bënim me diçka pranë Nesh, nëse do të bënim diçka të tillë![7]
  8. Por Ne e godasim të pavërtetën me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket menjëherë. Dhe juve (o idhujtarë) ju takon mjerimi, për atë që i atribuoni Allahut.[8]
  9. Të Tij janë të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk sillen kurrë me mendjemadhësi ndaj adhurimit të Tij dhe nuk lodhen kurrë (së adhuruari Atë).[9]
  10. Ata (engjëjt) e lavdërojnë Atë natë e ditë, pa ndalur kurrë.[10]
  11. Apo mos kanë marrë zota nga toka, të cilët mund të ringjallnin të vdekurit?[11]
  12. Sikur në ato dyja (qiej dhe Tokë) të kishte zota të tjerë përveç Allahut, ato do të prisheshin që të dyja. Pra, i Lartësuar është Allahu, Zoti i Arshit, nga ajo që ata (idhujtarët) i atribuojnë Atij![12]
  13. Ai (Allahu) nuk mund të pyetet për atë që bën, kurse ata do të pyeten të gjithë.[13]
  14. Apo kanë marrë zota të tjerë përveç Tij?! Thuaju: “Sillni provën tuaj! Ky (Kuran) është përkujtesa e atyre që janë me mua dhe po kështu është edhe përkujtesa e atyre që kanë qenë para meje (Librat e Mëparshëm).” Por shumica e tyre nuk e di të Vërtetën, kështu që kthejnë shpinën.[14]

[1] Shumë qytete, banorët e të cilëve ishin të padrejtë – për shkak të mohimit të Allahut dhe përgënjeshtrimit të të dërguarve të Tij – Ne i shkatërruam me dënim duke i zhdukur të gjithë ata, dhe pas tyre krijuam e ngritëm popuj të tjerë.

[2] Kur ata popuj mohues e ndienin dhe e shihnin dënimin e Allahut të zbriste mbi ta, ata iknin me vrap jashtë qytetit për t’i shpëtuar dënimit.

[3] Mos ikni, por kthehuni në luksin dhe në pallatet tuaja madhështore, se ndoshta vjen dikush e ju kërkon diçka nga ajo që zotëroni apo që keni në dorë prej pushtetit, si zakonisht! – Kjo u thuhet në mënyrë tallëse, pasi që atyre u erdhi tashmë shkatërrimi dhe humbën gjithçka kishin prej pasurisë e fisnikërisë, madje edhe jetën e tyre në këtë botë, dhe i pret një dënim tjetër edhe më i ashpër dhe i përhershëm në botën tjetër.

[4] Ata nuk mund të përgjigjen ndryshe veçse me pranim të krimit të tyre, duke thënë: “Të mjerët ne! Kemi qenë me të vërtetë të padrejtë kur mohuam Zotin tonë dhe përgënjeshtruam të dërguarët e Tij.”

[5] Ata vazhduan ta përsërisin fjalën e tyre “Të mjerët ne! Me të vërtetë, kemi qenë të padrejtë!”, deri sa i lamë pa jetë, si drithi i korrur dhe si zjarri i fikur. – Prandaj, kujdes, o ju që e dëgjoni këtë fjalë, nga vazhdimi në përgënjeshtrimin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), përndryshe mbi ju do të bjerë dënim i njëjtë me atë që i ka rënë popujve të mëparshëm kur ata përgënjeshtronin të dërguarit e tyre!

[6] Ne nuk e kemi krijuar qiellin, Tokën dhe gjithçka gjendet mes tyre më kot dhe pa qëllim, por që të jenë provë ndaj jush për Fuqinë dhe Urtësinë Tonë, o njerëz, në mënyrë që ju ta mësoni se Ai që i ka krijuar këto dhe ju, është vërtet i Plotfuqishëm dhe është i Vetmi që duhet të adhurohet.

[7] Sikur të donim të argëtoheshim, me fëmijë apo bashkëshorte, Ne do ta bënim këtë me diçka që është pranë Nesh dhe jo me atë që është tek ju (siç thanë që Uzejri dhe Isai janë bijtë e Allahut), nëse do të bënim diçka të tillë, por kjo nuk na përshtatet Neve, dhe Ne jemi shumë lart të pasurit nevojë për fëmijë apo bashkëshrote, apo për të luajtur e për t’u argëtuar!

[8] Ne nuk i kemi krijuar qiejt dhe Tokën për të luajtur e për t’u argëtuar, por e zbresim të vërtetën nga Ne – Kuranin – dhe me të godasim të pavërtetën – mohimin dhe mohuesit – dhe ajo (e vërteta) i çan kokën të pavërtetës deri sa çarja arrin në tru, kështu që e vret dhe e rrëzon përtokë, dhe atëherë e pavërteta zhduket menjëherë. Kurse juve, o mohues e idhujtarë, ju takon mjerimi dhe dënimi i përhershëm në botën tjetër, për atë që i atribuoni Allahut prej atributeve dhe cilësive që nuk i përshtaten Madhështisë së Tij, prej veshjes së të pasurit fëmijë apo bashkëshorte! I Lartë është Allahu nga diçka e tillë!

[9] Të gjithë ata që gjenden në qiej e në Tokë janë të Allahut, dhe ata që janë afër Tij prej engjëjve, nuk bëjnë kurrë mendjemadhësi ndaj adhurimit të Tij, nuk neveriten kurrë nga adhurimi dhe nuk lodhen kurrë së adhuruari Allahun. – Atëherë, si mundet që ju, o idhujtarë, t’i shoqëroni Allahut në adhurim dikë që është rob dhe krijesë e Tij, dhe që e adhuron Allahun natë e ditë, apo që të thoni se engjëjt janë bijat e Allahut, ndërkohë që babai nuk mund të robërojë fëmijët e vet, ndërsa engjëjt janë robër të Allahut?!

[10] Engjëjt e përmendin Allahun me lavdërim dhe madhërim e lartësim natë e ditë pa pushim, pa u dobësuar dhe pa u lodhur – njësoj si frymëmarrja për ne njerëzit, të cilën nuk mund ta harrojmë sado që të jemi të preokupuar me diçka tjetër. – Pra, si mund të merrni engjëjt për zota dhe t’i adhuroni në vend të Allahut apo përkrah Tij, ndërkohë që vetë ata janë rob të Allahut dhe adhurojnë Atë pa pushim?!

[11] Apo mos kanë marrë këta idhujtarë për zota gjëra që gjenden në tokë, si gurët apo metalet, të cilët mund të ringjallin të vdekurit? – Sigurisht që zotat e tyre nuk munden të ringjallin të vdekurit, madje as të flasin apo të lëvizin, apo t’u sjellin ndonjë dëm apo dobi, kështu që si mundet që t’i adhurojnë ato?!

[12] Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë përveç Allahut, që të rregullonin dhe të drejtonin çështjet në to, atëherë sistemi do të prishej dhe gjithçka do të shkatërrohej. Pra, i Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga gjithçka që i atribuojnë dhe i veshin mohuesit dhe idhujtarët prej fëmijëve, ortakëve apo trillimeve të tjera të tyre.

[13] Askush nuk mund ta pyesë Zotin e Arshit për atë që Ai bën me krijesat e Tij, në qiej apo në Tokë, prej dhënies jetë apo vdekje, prej ngritjes apo rrëzimit, e të tjera prej gjykimeve që Ai vendos për ta; sepse ata janë krijesat dhe robërit e Tij, dhe që të gjithë janë në pronën dhe pushtetin e Tij, dhe asnjë nuk është mbi Të, që të mund ta pyesë për atë që bën, kurse të gjithë ata që gjenden në qiej e në Tokë prej krijesave dhe robërve të Tij do të pyeten për veprat e tyre dhe do të merren në llogari për to, nga Ai, i Cili është Zoti i tyre dhe mbi të gjithë ata.

[14] A mos kanë marrë këta idhujtarë zota të tjerë që i adhurojnë në vend të Allahut, dhe që janë në gjendje t’u sjellin atyre dëm apo dobi, apo t’u japin jetë apo vdekje?! Thuaju atyre, o i Dërguar: “Sillni provën tuaj për zotat që adhuroni në vend të Allahut! Në këtë Kuran që më është shpallur mua, nuk ka asnjë provë për ju, dhe po ashtu në Librat që Allahu ka shpallur më parë nuk ka asnjë provë për zotat tuaj.” Por shumica e tyre adhurojnë zota të tjerë në vend të Allahut nga injoranca dhe imitimi i tyre i verbër, kështu që ata i kthejnë shpinën të vërtetës dhe e mohojnë atë.

-323-


  1. Ne nuk kemi dërguar ndonjë të dërguar para teje (o Muhamed), që të mos i kemi shpallur se: “Nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Meje, prandaj më adhuroni vetëm Mua!”[1]
  2. Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë (prej engjëjve)!” I Pastër e i Lartësuar është Ai! Nuk është ashtu, por ata (engjëjt) janë robër të nderuar (të Tij).[2]
  3. Ata (engjëjt) nuk flasin para se të flasë Ai dhe veprojnë vetëm me Urdhrin e Tij.[3]
  4. Ai e di se çfarë kanë vepruar (engjëjt) dhe çfarë do të veprojnë ata, ndërsa ata nuk mund të ndërmjetësojnë veçse për atë që Ai pëlqen, dhe nga frika prej Tij ata janë shumë të kujdesshëm.[4]
  5. Kushdo prej tyre (engjëjve) që do të thoshte: “Unë jam zot, bashkë me Atë (Allahun)”, Ne do ta shpërblenim atë me Xhehenem. Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët.[5]
  6. A nuk e kanë parë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë të ngjitura me njëra-tjetrën (një masë e vetme), pastaj Ne i ndamë ato dhe nga uji krijuam çdo gjë të gjallë? Akoma nuk besojnë?![6]
  7. Në Tokë vendosëm male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me ta (njerëzit) dhe bëmë nëpër të shtigje dhe rrugë të gjera, që ata të ecin nëpër to.[7]
  8. Kurse qiellin e bëmë çati të mbrojtur, por ata i shmangen provave të tij.[8]
  9. Është Ai (Allahu), i Cili ka krijuar natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën, ku secila prej tyre lundron në një orbitë të caktuar.[9]
  10. Ne nuk ia kemi dhënë pavdekësinë askujt para teje (o Muhamed); e nëse ti vdes, a do të jetojnë ata përgjithmonë?![10]
  11. Çdo qenie e krijuar do ta shijojë vdekjen! Ne ju sprovojmë ju (o njerëz) me të keqen dhe me të mirën, si sprovë, dhe te Ne do të ktheheni të gjithë.[11]

[1] Ne nuk kemi dërguar asgjë të dërguar para teje, o Muhamed, që të mos i kemi shpallur se: “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Meje, kështu që më adhuroni vetëm Mua!”

[2] Idhujtarët thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka bërë fëmijë, e ato janë engjëjt, që janë bijat e Tij!” I Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga diçka e tillë e ulët që nuk i përshtatet Madhështisë së Tij! Nuk është ashtu, por engjëjt janë robër të Allahut, dhe robëria e refuzon birësinë, sepse robi nuk mund të jetë fëmijë e zotëriut, përndryshe nuk do të ishte rob i tij; por engjëjt janë robër të nderuar të Allahut, të cilëve Allahu u ka dhënë vend të lart pranë Tij, ndërsa ata i binden Atij plotësisht dhe nuk flasin as nuk veprojnë asgjë pa lejen e Tij.

[3] Engjëjt nuk flasin para se të flasë Allahu, deri sa Ai t’u japë lejë për të folur, dhe gjithçka që ata veprojnë, e bëjnë me urdhrin e Tij; pra ata janë robër dhe shërbëtorë të Tij dhe jo fëmijë të Tij.

[4] Allahu i di të gjitha ato që kanë bërë engjëjt në të shkuarën dhe ato që do të bëjnë në të ardhmen, dhe ata nuk mund të ndërmjetësojnë tek Allahu për askënd, përveç atij që pëlqen Allahu të ndërmjetësojnë për të; dhe nga frika prej Allahut ata janë shumë të kujdesshëm se mos bëjnë diçka gabim apo mos shkelin ndonjë urdhër apo ndalesë të Allahut.

[5] Kushdo prej engjëjve, që do të thoshte: “Unë jam zot, bashkë me Allahun” – duke supozuar, sepse ata kurrë nuk e thonë -, atëherë Ne do ta shpërblenim atë me përjetësim në zjarrin e Xhehenemit. Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët idhujtarë e mohues të Allahut.

[6] A nuk e kanë parë mohuesit (me shkencën e tyre që u ka zbuluar Allahu) dhe a nuk e kanë mësuar tashmë se qiejt dhe Toka kanë qenë të ngjitura me njëra-tjetrën në një masë të vetme, pastaj Ne i ndamë ato me Fuqinë Tonë dhe nga qielli zbritëm shi mbi Tokë, dhe kështu bëmë që të dalin bimët nga Toka dhe nga uji krijuam çdo gjë të gjallë? Akoma nuk besojnë këta mohues, edhe pse e shohin me sytë e tyre si ka ndodhur krijimi; akoma nuk e madhërojnë dhe adhurojnë vetëm Allahun?!

[7] Ne kemi krijuar në Tokë male të fortë e të patundur, të ngulura mirë, që Toka të mos lëkundet bashkë me njerëzit, dhe nëpër Tokë kemi bërë shtigje dhe rrugë të gjera, në mënyrë që njerëzit t’i ndjekin ato rrugë në udhëtimet e tyre.

[8] Kurse qiellin e bëmë çati, në formë të kupolës, të mbrojtur dhe mbrojtës të Tokës – kupolë të mbrojtur nga rënia edhe pse nuk ka shtylla, të mbrojtur nga depërtimi i djajve që të ngjiten dhe ta kalojnë atë; dhe kupolë mbrojtëse të Tokës nga stuhitë kozmike apo diellore – por mohuesit i shmangen dhe i kthejnë shpinën provave dhe mrekullive të Allahut që i shohin në qiell. – Në disa hadithe, megjithëse të dobëta në transmetim, por kuptimi nuk mund të jetë veçse shpallje që i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), qielli përshkruhet me fjalët: “Çati e mbrojtur dhe penguese e valëve (elektromagnetike, stuhive kozmike apo diellore) që të arrijnë tek ju!” [Muhamed Nasirudin el Albani, Tahrixh Mishkatul Mesabih, 5667; Daif Et Tirmidhi, 3298].

[9] Është Allahu i Madhëruar Ai që ka krijuar natën dhe ditën, si mirësi për ju, o njerëz, dhe provë e argument për Madhështinë dhe Pushtetin e Tij absolut, të Cilit i përket me të drejtë adhurimi, pa i shoqëruar askënd prej krijesave të Tij; nata dhe dita pasojnë njera-tjetrën për të mirën tuaj në Tokë, që të mund të jetoni e të punoni për këtë botë dhe për botën tjetër; dhe është po Ai që ka krijuar Diellin dhe Hënën, që janë shkaqe dhe shenja të natës dhe të ditës, dhe që notojnë në orbitën e tyre të caktuar në mënyrë të përpiktë dhe të pagabuar. Atëherë, si mund të adhuroni zota të tjerë përveç Krijuesit Absolut, apo si mund ta mohoni Atë dhe t’i ktheni shpinën Atij dhe provave të Tij, kur ju keni nevojë për Të, kurse Ai nuk ka nevojë për ju dhe për askënd e asgjë?!

[10] Ne nuk ia kemi dhënë pavdekshmërinë dhe jetesën përgjithmonë në këtë botë asnjë njeriu dhe asnjë profeti para teje, o Muhamed, kështu që, nëse vdes ti, a mos shpresojnë që ata idhujtarë e mohues që të përgënjeshtrojnë ty të jenë të përjetshëm?! Sigurisht që do të vdesin në afatin e tyre të caktuar dhe do të kthehen te Zoti i tyre për të dhënë llogari.

[11] Çdo qenie e gjallë që ka krijuar Allahu do ta shijojë vdekjen, do ta ndjejë dhimbjen e daljes së shpirtit nga trupi, dhe askush nuk do të jetë i përjetshëm dhe i pavdekshëm në këtë botë, përveç Krijuesit. Ekzistenca e të gjithë qenieve që ka krijuar Allahu në këtë botë është me qëllimin për t’u sprovuar nga Allahu me urdhra e ndalesa, me të këqia e me të mira, për të parë nëse do të durojnë e do të falënderojnë apo jo, pastaj kthimi i të gjithëve do të jetë vetëm tek Allahu, për të dhënë llogari dhe për të marrë shpërblimin e merituar.

-324-


  1. Kur mohuesit të shohin ty (o Muhamed), ata vetëm tallen me ty (duke thënë): “Ky është ai që flet keq për zotat tuaj?!”, ndërkohë që përmendjen e të Gjithëmëshirshmit ata e mohojnë.[1]
  2. Njeriu është krijuar nga nxitimi (i nxituar). Së shpejti do t’jua tregoj provat e Mia, prandaj mos më kërkoni të nxitoj në sjelljen e tyre.[2]
  3. Ata pyesin: “Kur do të ndodhë ky kërcënim, nëse jeni të sinqertë?”[3]
  4. Sikur ta dinin mohuesit (çfarë do të heqin) kur nuk do të mund ta largojnë zjarrin as nga fytyrat as nga shpinat e tyre dhe as nuk do të ndihmohen![4]
  5. Por ai (Kiameti) do t’u vijë atyre befasisht dhe do t’i hutojë ata, kështu që nuk do të mund ta shmangin atë dhe as nuk do t’u jepet afat![5]
  6. Edhe me të dërguar të tjerë para teje janë tallur, por atyre që talleshin u erdhi dënimi, me të cilin talleshin.[6]
  7. Thuaju: “Kush mund t’ju ruajë natën apo ditën nga i Gjithëmëshirshmi?” Por megjithatë, ata shmangen nga përmendja e Zotit të tyre.[7]
  8. Apo mos kanë zota të tjerë që mund t’i mbrojnë prej Nesh? Ata nuk mund të ndihmojnë as veten e tyre dhe as nuk mund të mbrohen nga Ne.[8]
  9. Ne u dhamë kënaqësi këtyre (mohuesve) dhe baballarëve të tyre, dhe ua zgjatëm jetën. A nuk e shohin ata që Ne e pakësojmë gradualisht tokën e tyre nga skajet e saj? A mos do të jenë ata fituesit?![9]

[1] Kur mohuesit nga populli yt, o Muhamed, të shohin ty, ata e bëjnë me gisht nga ti dhe i thonë njëri-tjetrit në formë tallje me ty: “Ky na qenka ai që flet keq për zotat tuaj?!” ato zota prej druri e guri që nuk mund të sjellin asnjë të mirë apo të keqe, ndërkohë që ata janë duke mohuar Zotin e tyre të Gjithëmëshirshëm dhe mirësitë e Tij ndaj tyre dhe ndaj të gjithë njerëzve, duke përfshirë edhe këtë Kuran, që është për të mirën e tyre dhe udhëzim për ta.

[2] Njeriu është krijuar i nxituar, që i do gjërat të ndodhin shpejt e shpejt, saqë thua se është krijuar nga nxitimi. Së shpejti do t’jua sjellim provat Tona dhe dënimin që po kërkoni t’ju zbresim, o idhujtarë të Mekes, prandaj mos na kërkoni ta shpejtojmë atë, sepse është duke ju ardhur, dhe nuk do t’ju gëzojë aspak, por përkundrazi!

[3] Mohuesit që kërkojnë shpejtimin e kiameti apo të ardhjes së dënimit të Zotit thonë: “Kur do të ndodhë kjo me të cilën na kërcënon, o Muhamed, nëse je i sinqertë në ato që thua, bashkë me ndjekësit e tu?” Me bindjen e tyre se nuk do të ndodhë kurrë.

[4] Sikur ta dinin këta mohues e idhujtarë që kërkojnë shpejtimin e dënimit të Allahut, se çfarë do të heqin atëherë kur nuk do të mund ta largojnë zjarrin nga fytyrat apo shpinat e tyre, dhe as nuk do të ndihmohen nga askush, nuk do të vazhdonin në mosbesimin e tyre dhe nuk do e kërkonin kurrë shpejtimin e dënimit të vetë atyre!

[5] Në fakt, Kimeti do t’u vijë mohuesve befasisht dhe do t’i hutojë e do t’i tmerrojë ata, kështu që nuk do të mund ta largojnë atë nga vetja e tyre dhe as nuk u jepet afat që të pendohen apo të justifikohen, sepse atë ditë nuk do të pranohet më pendimi, kur njerëzit ta shohin kiametin me sytë e tyre, sepse atëherë nuk do të jetë më i fshehtë që të mund të besohet apo të mohohet!

[6] Janë tallur edhe me të dërguar të tjerë para teje, o Muhamed, por atyre që talleshin u erdhi ai dënim me të cilin talleshin; po kështu mund t’iu vijë edhe atyre që tallen me ty, prandaj të marrin mësim nga të mëparshmit.

[7] Thuaju, o Muhamed, atyre që kërkojnë shpejtimin e dënimit: “Askush nuk mund tju ruajë e tju mbrojë, as natën as ditën, as kur jeni në gjumë as kur jeni zgjuar, nga dënimi i të Gjithëmëshirshmit, nëse zbret mbi ju.” Por, megjithatë, ata shmangen nga përmendja e Zotit të tyre dhe nga ky Kuran, dhe nuk mendojnë e nuk marrin mësim prej tij, nga injoranca dhe mendjelehtësia e tyre.

[8] A mos kanë ata idhujtarë e mohues zota të tjerë që mund t’i mbrojnë ata nga dënimi Ynë?! Zotat e tyre nuk mund të ndihmojnë as vetveten, e si mund të ndihmojnë adhuruesit e tyre?! Dhe sigurisht që as nga Ne nuk do të ndihmohen e nuk të mbrohen, kështu që dënimi i tyre është i pashmangshëm.

[9] Mohuesit e Mekes u mashtruan ashtu si u mashtruan prindërit e tyre me kënqasitë e kësaj bote, pasuritë dhe jetë e gjatë që u kishte dhënë Allahu për një kohë të gjatë, kështu që vazhduan në mosbesimin e tyre duke menduar se nuk do të dënohen ndonjëherë, por harruan ligjin e Allahut në popujt e mëparshëm; Allahu e pakëson tokën e idhujtarëve duke filluar nga skajet e saj, në mënyrë graduale, duke u shkaktuar disfata dhe humbje të njëpasnjëshme. Atëherë, a mos këta idhujtarët e Mekes do të dalin nga Fuqia e Allahut dhe do t’i shpëtojnë vdekjes, e kështu do të jenë ata fituesit kundër të Dërguarit të Allahut dhe besimtarëve?!

-325-


  1. Thuaju (o Muhamed): “Unë ju paralajmëroj vetëm me shpalljen (nga Allahu).” Por, të shurdhërit nuk e dëgjojnë thirrjen kur paralajmërohen.[1]
  2. Sikur t’i prekte një puhi e lehtë nga dënimi i Zotit tënd, ata do të thoshin: “Mjerë ne! Kemi qenë vërtet të padrejtë!”[2]
  3. Ne do të vendosim peshore të drejta në Ditën e Kiametit, kështu që askujt nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. Edhe nëse një vepër është sa një kokërr sinapi, ne do ta sjellim atë (do ta llogarisim), dhe mjaftojmë Ne si Llogaritës.[3]
  4. Ne i dhamë Musait dhe Harunit Dalluesin, dritë dhe përkujtues për të devotshmit;
  5. ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë dhe nga Ora (e Kiametit) ata druhen.[4]
  6. Edhe ky (Kuran) është përkujtues i bekuar, të cilin e kemi shpallur Ne; a po e mohoni atë?![5]
  7. Më parë, Ne i dhamë Ibrahimit gjykim të shëndoshë, sepse e njihnim mirë atë (se ishte i denjë).[6]
  8. Atëherë, kur ai (Ibrahimi) i tha babait dhe popullit të tij: “Çfarë janë këto statuja, ndaj të cilave ju jeni aq të përkushtuar?!”[7]
  9. Ata i thanë: “I gjetëm baballarët tanë t’i adhurojnë ato.”[8]
  10. Ai (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.”[9]
  11. Ata i thanë: “A na ke sjellë të Vërtetën, apo je nga ata që tallen?”[10]
  12. Ai (Ibrahimi) u tha: “Përkundrazi, Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës, i Cili që i ka krijuar ato, dhe unë jam prej atyre që e dëshmojnë këtë.”[11]
  13. “Pasha Allahun (tha Ibrahimi me vete)! Do të thur një komplot kundër idhujve tuaj, pasi të keni kthyer shpinën e të jeni larguar!”[12]

[1] Thuaju atyre tek të cilët je dërguar, o Muhamed: “Unë nuk ju frikësoj dhe nuk ju paralajmëroj për ndonjë dënim veçse me shpalljen që më shpallet nga Allahu, me këtë Kuran!” Por, mohuesit nuk e dëgjojnë atë që u lexohet prej Kuranit me dëgjim të vëmendshëm, kështu që nuk përfutojnë prej tij, njësoj sikur thërret të shurdhërin duke e paralajmëruar nga një e keqe, por ai nuk dëgjon.

[2] Sikur këta mohues që kërkojnë shpejtimin e dënimit t’i prekte një puhi e lehtë dhe një pjesë shumë e vogël nga dënimi i Zotit tënd, o Muhamed, ata do ta mësonin përfundimin e përgënjeshtrimit të tyre, kështu që do të luteshin kundër vetvetes me shkatërrim duke thënë: “Mjerë ne! Kemi qenë vërtet të padrejtë kur i shoqëruam Zotit tonë të tjerë në adhurim dhe kur përgënjeshtruam të Dërguarin e Tij tek ne.”

[3] Allahu i Madhëruar do të vendosë peshoren e drejtë për llogarinë në Ditën e Kiametit, dhe askujt nuk do t’i bëhet as padrejtësia më e vogël. Madje, edhe nëse një vepër e mirë apo e keqe është e vogël sa një kokërr sinapi, ajo do të llogaritet në llogarinë e të zotit të saj. Dhe mjafton Allahu si Llogaritës i veprave të robërve të Tij, Njohës i të gjitha atyre në hollësi, Ruajtës dhe Regjistrues i tyre në libër, Njohës i vlerës që kanë dhe sasisë së shpërblimit apo dënimit që meritojnë.

[4] Ne i dhamë Musait dhe Harunit Dalluesin e të vërtetës nga e pavërteta dhe të hallallit nga harami – Teuratin -, dhe u dhamë të vërtetën me të cilën u bë ndarja dhe gjykimi mes tyre dhe Faraonit; u dhamë dritë udhëzuese – Teurati ishte dritë për ta – dhe përkujtues për të devotshmit: ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë dhe që i frikësohen Atij në fshehtësi dhe larg syve të njerëzve, dhe nga Ora e ndodhjes së Kiametit ata druhen dhe kanë frikë se mos ndodh dhe ata nuk e kanë kryer mirë detyrën ndaj Allahut, dhe kështu që i frikësohen dënimit të Tij.

[5] Edhe ky Kuran, ashtu si Teurati, është përkujtues i begatë dhe me dobi të mëdha për besimtarët që marrin mësim prej tij dhe që e zbatojnë atë, dhe atë ia kemi shpallur Ne Muhamedit ashtu si Teuratin Musait dhe Harunit, atëherë si mund ta mohoni atë kur ai është shumë i qartë dhe udhëzues?

[6] Para Musait dhe Harunit, Ne i kishim dhënë Ibrahimit gjykim të shëndoshë dhe udhëzim të drejtë, në të cilin ai i ftoi njerëzit, sepse e dinim mirë se ai ishte i denjë për këtë.

[7] Ne e njhnim mirë Ibrahimin dhe e dinim se ai ishte i denjë për shpalljen tonë, atëherë, kur ai i tha babait dhe popullit të vet: “Çfarë janë këto statuja që i keni bërë me duart tuaja, dhe që i përkushtoheni aq shumë duke i adhuruar ato?!”

[8] Babai Ibrahimit dhe populli i tij iu përgjigjën Ibrahimit: “I gjetëm baballarët tanë t’i adhurojnë ato, kështu që edhe ne i adhurojmë ato sipas gjurmëve të tyre.”

[9] Ibrahimi u tha atyre: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë dhe larg të vërtetës në adhurimin që i bëni këtyre statujave.”

[10] Babai dhe populli i tij i thanë Ibrahimit: “A ke ardhur tek ne me diçka të vërtetë dhe serioze, apo fjalët e tua janë për tallje dhe lojë e atyre që nuk dinë çfarë flasin?”

[11] Ibrahimi u tha atyre: “Përkundrazi, ju kam ardhur me të vërtetën dhe jo për t’u tallur; dhe unë ju them se Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës, i Cili i ka krijuar ato me Fuqinë e Tij, dhe unë jam prej atyre që dëshmojnë se Allahu është Zoti dhe Krijuesi i Vetëm që meriton të adhurohet, ndërsa statujat dhe idhujt që ju adhuroni nuk janë zota por gurë e drurë që janë krijesa të Allahut dhe që nuk kanë fuqi t’ju bëjnë dëm apo t’ju sjellin dobi, prandaj mos i adhuroni ato por adhuroni vetëm Allahun!”

[12] Pastaj Ibrahimi tha me vete: “Pasha Allahun! Do të thur një komplot kundër idhujve tuaj dhe do t’i thyej ato, pasi ju të keni kthyer shpinën dhe të jeni larguar në festën tuaj jashtë qytetit.”

-326-


  1. Dhe i bëri ato (idhujt) copë-copë, përveç një të madhi të tyre, që ata t’i drejtoheshin atij.[1]
  2. Ata thanë: “Kush ia bëri këtë zotave tanë? Me të vërtetë, ai është nga të padrejtët!”[2]
  3. Disa thanë: “Dëgjuam një djalosh të fliste keq për to – e quanin Ibrahim.”[3]
  4. Të tjerët thanë: “Atëherë silleni atë para syve të njerëzve, që të dëshmojnë të gjithë!”[4]
  5. Ata e pyetën: “Ti e bëre këtë me zotat tanë, o Ibrahim?”[5]
  6. Ai tha: “Jo, por e bëri ky, i madhi i tyre. I pyesni ata (idhujt tuaj), nëse mund të flasin!”[6]
  7. Atëherë ata u kthyen te vetvetja dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, vetë ju jeni të padrejtët.”[7]
  8. Pastaj shpejt u përmbysën në mendësinë e tyre dhe i thanë (Ibrahimit): “Ti e di tashmë, se këta (idhujt) nuk flasin!”[8]
  9. Ai (Ibrahimi) u tha: “A adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin asnjë lloj dobie apo dëmi?![9]
  10. Turp për ju dhe për çfarëdo që adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!”[10]
  11. Ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni diçka (për zotat tuaj)!”[11]
  12. Ne thamë: “O zjarr! Bëhu i ftohtë dhe i sigurt për Ibrahimin!”[12]
  13. Ata donin t’i bënin keq atij, por Ne i bëmë ata më të humburit.[13]
  14. Pastaj, Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin në tokën, të cilën e kemi bekuar për të gjithë.[14]
  15. Dhe i dhuruam atij Is’hakun, edhe Jakubin shtesë, dhe të gjithë i bëmë të drejtë.[15]

[1] Ibrahimi i theu idhujt e tyre dhe i bëri ato copë-copë, përveç atij më të madhit, atë nuk e theu (dhe transmetohet se tek ai vari sëpatën me të cilën i theu ithujt), me qëllim që njerëzit t’i drejtoheshin atij dhe ta pyesnin, dhe atëherë t’iu bëhej e qartë dobësia, injoranca dhe humbja e tyre, dhe t’iu ngrihej argumenti. Si mund të jenë zota që sjellin të mirën apo largojnë të keqen ato që nuk mund të mbrojnë as vetveten nga të tjerët?!

[2] Kur njerëzit u kthyen nga festa e tyre dhe panë çfarë kishte ndodhur me zotat e tyre, i thanë njëri-tjetrit: “Kush e ka bërë këtë me zotat tanë? Me të vërtetë, ai që e ka bërë këtë është i padrejtë sepse ka guxuar të vërë dorë mbi zotat që meritojnë adhurim dhe madhërim!”

[3] Disa nga idhujtarët, të cilët e kishin dëgjuar Ibrahimin të fliste kundër zotave të tyre, thanë: “Kemi dëgjuar një djalë, i cili quhej Ibrahim, të fliste keq për zotat tanë, kështu që me siguri, ai e ka bërë.”

[4] Të parët e tyre thanë: “Silleni Ibrahimin para të gjithë njerëzve, që të dëshmojnë të gjithë pohimin e tij për këtë që ka bërë dhe të jetë provë kundër tij për të marrë dënimin e merituar!”

[5] E sollën Ibrahimin para udhëheqësve dhe para njerëzve dhe e pyetën: “Ti i theve zotat tanë, o Ibrahim?”

[6] Ibrahimi arriti atë që synonte për të nxjerrë në pah mendjelehtësinë dhe injorancën e tyre në adhurimin e statujave, dhe kështu që iu tha: “Ai që i theu ato, është kjo statuja më e madhe, apo zoti juaj më i madh! I pyesni zotat tuaj të thyer se kush i theu, nëse mund t’ju kthejnë përgjigje dhe t’ju flasin!”

[7] Atëherë doli hapur mendjelehtësia, injoranca dhe humbja e tyre, se si mund të adhurojnë diçka që nuk mund të flasë dhe nuk mund të mbrojë as vetveten, kështu që dëshmuan kundër vetvetes se të padrejtët e vërtetë janë ata dhe jo Ibrahimi, sepse janë ata që bëjnë padrejtësinë më të madhe duke i adhuruar idhujt dhe statujat e tyre në vend të Allahut.

[8] Por shumë shpejt, ata u kthyen përmbys në mendësinë dhe kryeneçësinë e tyre mohuese të së vërtetës dhe i sollën Ibrahimit një argument që ishte kundër tyre dhe jo për ta, duke i thënë: “Si t’i pyesim këta idhuj, kur ti e di tashmë se ata nuk flasin, pasi që janë thjesht statuja prej guri apo druri?”

[9] Duke përçmuar çështjen e idhujve, Ibrahimi u tha atyre: “A adhuroni në vend të Allahut, Krijuesit tuaj, idhuj e statuja që nuk mund t’ju sjellin asnjë lloj dobie nëse i adhuroni, dhe asnjë lloj dëmi nëse i lini pa adhuruar?”

[10] Vazhdon fjala e Ibrahimit: “Turp dhe fëlliqësi për ju dhe për ato që adhuroni në vend të Allahut! A nuk e përdorni arsyen dhe mendjen tuaj që të kuptoni se kjo që bëni është turp, e palogjikshme dhe e padrejtë; këto idhuj e statuja nuk meritojnë të adhurohen, por Ai që meriton të adhurohet është vetëm Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili ka në Dorë t’ju sjellë dobi dhe t’ju dëmtojë, nëse dëshiron?!”

[11] Pasi u bë e qartë humbja dhe rrëzimi i mendësisë së tyre, dhe triumfoi e vërteta, ata u kthyen te shfrytëzimi i pushtetit të tyre, dhe thanë: “Digjeni Ibrahimin me zjarr, për hir të zotave tuaj, nëse doni vërtet të bëni diçka për t’i ndihmuar ata!” Atëherë njerëzit mblodhën sasi të mëdha druri dhe ndezën një zjarr shumë të madh, në të cilin e hodhën Ibrahimin të lidhur.

[12] Pasi ata e lidhën Ibrahimin dhe e hodhën në mes të zjarrit të madh e të përflakur, Allahu i dha urdhër zjarrit: “Bëhu i ftohtë dhe i sigurt për Ibrahimin, për të qenë jashtë çdo rreziku!” Kështu që Ibrahimin nuk e gjeti asnjë e keqe, dhe madje u dogj vetëm litari me të cilin e kishin lidhur.

[13] Ata idhujtarë donin t’i bënin keq Ibrahimit dhe ta digjnin në zjarr, por Ne i bëmë ata më të humburit dhe më të poshtëruarit.

[14] Ne e shpëtuam Ibrahimin, dhe bashkë me të edhe Lutin, djalin e vëllait të tij, i cili e besoi atë; i shpëtuam ata nga Babilonia e Irakut, duke i çuar në tokën e Levantit, të cilën e kemi bekuar për të gjithë njerëzit e kafshët, për shkak të begative të shumta që kemi vendosur në të.” Shumica e të dërguarve të Allahut janë dërguar pikërisht në atë tokë, në të cilën gjendet gjithashtu shtëpia e tretë më e shenjtë në Tokë, Kudsi.

[15] Allahu i dhuroi mirësi Ibrahimit, duke iu përgjigjur lutjes së tij për fëmijë dhe duke i dhuruar Is’hakun në moshë të madhe, dhe nga Is’haku i dhuroi Jakubin, nipin e tij, si një dhunti shtesë mbi lutjen që ai bëri, dhe që të gjithë ata: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, Allahu i bëri të drejtë e të bindur ndaj Tij, i bëri profetë.

-327-


  1. Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin me urdhrin Tonë dhe i frymëzuam të bënin vepra të mira, të kryenin faljen dhe të jepnin zekatin, dhe ata ishin të përkushtuar ndaj adhurimit Tonë.[1]
  2. Lutit i dhamë urtësi dhe dituri, dhe e shpëtuam nga qyteti që bënte vepra të ndyra. Ata ishin vërtet njerëz të këqij e të shthurur.[2]
  3. Ne e futëm atë (Lutin) në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ai është nga të mirët.[3]
  4. Dhe (kujto) Nuhun, kur ai Na thirri më parë, dhe Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam atë dhe familjen e tij nga mjerimi i madh.[4]
  5. Dhe e ndihmuam atë (Nuhun) kundër popullit që i përgënjeshtroi provat Tona. Ata ishin me të vërtetë një popull i keq, prandaj i mbytëm që të gjithë.[5]
  6. (Kujto) Edhe Daudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan në lidhje me të mbjellat ku gjatë natës kishin kullotur bagëtitë e disa njerëzve, dhe Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre.[6]
  7. Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte më drejtë çështjen, dhe që të dyve u dhamë urtësi e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Daudin, të thurnin lavde (për Ne). Ishim Ne që i bëmë këto.[7]
  8. Ne i mësuam atij (Daudit) punimin e parzmoreve prej çeliku për ju, për t’ju mbrojtur në betejë. Atëherë, a jeni mirënjohës?[8]
  9. Ndërsa Sulejmanit i nënshtruam erën e fortë, që të drejtohej sipas urdhrit të tij në tokën që Ne e kemi bekuar, dhe Ne ishim të Dijshëm për çdo gjë.[9]

[1] Ne e bëmë Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin udhëheqës dhe shembull për njerëzit, të cilët i ftonin ata në bindjen dhe adhurimin Tonë sipas urdhrit Tonë, dhe i frymëzuam ata të bënin vepra të mira sipas legjislacionit të profetëve Tanë, të kryenin namazin në mënyrë të rregullt dhe të jepnin zekatin e pasurisë; dhe ata i zbatuan të gjitha këto dhe ishin të nënshtruar e të bindur ndaj Nesh dhe adhurimi i tyre ishte i përkushtuar vetëm për Ne dhe për askënd e asgjë tjetër.

[2] Lutit i dhamë urtësi – profetësinë dhe gjykimin mes palëve kundërshtare – dhe dituri për urdhrat e Allahut dhe fenë e Tij, dhe e shpëtuam atë nga dënimi që i zbritëm banorëve të qytetit Sodom, të cilët kryenin vepra të ndyra – si homoseksualiteti dhe shthyrja me të gjitha mënyrat, përkrah përgënjeshtrimit të Lutit. Ata ishin vërtet njerëz të këqinj e të dalë nga bindja ndaj Allahut, për shkak të veprave të tyre shumë të ndyra e të turpshme.

[3] Allahu e plotësoi dhuntinë e Tij ndaj Lutit duke e futur atë në mëshirën e Tij, sepse ai ishte me të vërtetë nga njerëzit e mirë, që veprojnë në bindje ndaj Allahut.

[4] Kujto, o Muhamed, Nuhun, kur ai e thirri Zotin e tij më parë – para teje, dhe para Ibrahimit dhe Lutit – dhe Ne iu përgjigjëm thirrjes dhe lutjes së tij kundër popullit të tij, dhe e shpëtuam atë dhe familjen e tij – që ishin ata që i besuan atij – nga mjerimi dhe pikëllimi i madh i përmbytjes dhe nga përgënjeshtrimi i popullit të tij.

[5] Ne e ndihmuam Nuhun dhe e mbrojtëm atë nga kurthet dhe të këqiat e popullit që i përgënjeshtruan provat dhe mrekullitë Tona që argumentonin për profetësinë e Tij. Ata ishin me të vërtetë një popull i keq, që vepronin në kundërshtim me urdhrat Tona dhe bënin vepra të këqia, prandaj i mbytëm që të gjithë në përmbytjen e madhe.

[6] Kujto gjithashtu, o Muhamed, dy të dërguarit e Allahut: Daudin dhe birin e tij, Sulejmanin, kur ata gjykuan në lidhje me një çështje që ua parashtruan dy njerëz që kundërshtoheshin me njëri-tjetrin: delet e njërit prej tyre kishin kullotur gjatë natës në arën e tjetrit dhe i kishin prishur të mbjellat; Daudi gjykoi që delet t’i kalonin në pronësi atij që iu prishën të mbjellat, meqenëse vlera e tyre ishte e barabartë; dhe Ne ishin dëshmitarë të gjykimit të atyre dyve, sepse asgjë nuk mund të na shpëtojë.

[7] Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte çështjen më mirë duke ruajtur interesin e të dyja palëve me drejtësi, dhe kështu ai gjykoi që pronari i deleve të rregullonte të mbjellat e prishura deri sa të ktheheshin ashtu si ishin, ndërkohë pronari i tokës do të shfrytëzonte delet dhe qumështin e leshin e tyre, pastaj do të ktheheshin delet te pronari i tyre dhe toka me të mbjellat te pronari i saj, sepse vlera e të mbjellave të prishura ishte e barabartë me prodhimin e deleve gjatë kohës së rikthimit të tyre në gjendjen që ishin më parë. Dhe që të dyve atyre, Daudit dhe Sulejmanit, Ne i dhamë urtësi – profetësi dhe dituri për çështjet e fesë. Daudit i dhamë mirësi duke i nënshtruar malet dhe shpendët që të thurnin lavde për Mua bashkë me të – kur të më madhëronte e të më lartësonte Mua me Tesbih, ata bënin të njëjtën gjë bashkë me të. Ishim Ne që i bëmë të gjitha këto, edhe pse mund t’ju duket e çuditshme, por Ne kemi fuqi për gjithçka që duam.

[8] Allahu e veçoi Daudin me të mësuarit e punimit të parzmoreve prej çeliku me hallka të futura në njëra-tjetrën, në mënyrë që të lejonin trupin të lëvizte me lehtësi dhe të mbrohej nga goditjet e armëve të armikut gjatë betejës. Atëherë, a jeni mirënjohës ndaj Allahut për këtë mirësi që i mësoi Daudit punimin e parzmoreve të betejës, dhe nga ai e mësuat edhe ju; dhe për të gjitha mirësitë e Tij ndaj jush?

[9] Ndërsa Sulejmanit, Ne i nënshtruam erën e fortë që ta mbarte Sulejmanin bashkë me shoqëruesit e tij dhe të drejtohej me urdhrin e Sulejmanit nga të dëshironte ai, në Tokën e bekuar të Levantit, pastaj ta kthente atë në shtëpinë e tij. Ne ishim të Dijshëm për gjithçka i kishim dhënë Sulejmanit dhe për gjithçka që ai vepronte, dhe Ne kemi përfshirë gjithçka në dijen Tonë.

-328-


  1. Dhe i nënshtruam atij (Sulejmanit) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, dhe bënin edhe punë të tjera. Dhe Ne i ruanim ata.[1]
  2. (Kujto) Edhe Ejubin, kur thirri Zotin e vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia, e Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve!”[2]
  3. Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam fatkeqësinë që kishte dhe ia kthyem familjen e tij, dyfish më shumë, si mëshirë nga ana Jonë dhe përkujtim për adhuruesit e devotshëm.[3]
  4. (Kujto) Edhe Ismailin, Idrizin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta ishin nga të durueshmit.[4]
  5. Ne i futëm ata në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata ishin nga të mirët.[5]
  6. (Kujto) Edhe Njeriun e Balenës (Junusin) kur u largua (nga populli i tij) i zemëruar, duke menduar se Ne nuk do ta ngushtonim (për këtë), pastaj thirri në mes të errësirave: “Nuk ka zot tjetër që meriton adhurim përveç Teje! I Pastër nga çdo e metë je Ti! Me të vërtetë, unë isha nga të padrejtët!”[6]
  7. Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga dëshpërimi. Po kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.[7]
  8. (Kujto) Po ashtu Zekerijan, kur iu lut Zotit të vet: “Zoti im! Mos më lër të vetëm (pa fëmijë), megjithëse Ti je Trashëgimtari më i mirë!”[8]
  9. Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjan, duke ia rregulluar gruan (që të lindte). Me të vërtetë, ata shpejtonin në vepra të mira dhe Na luteshin me shpresë e frikë, dhe ishin plotësisht të përulur ndaj Nesh.[9]

[1] Ne i nënshtruam Sulejmanit edhe disa nga ata djaj që bënin disa punë të cilat nuk mund t’i bënin djajtë e tjerë, siç ishte zhytja në det për të nxjerrë xhevahirë e gurë të çmuar për të, si dhe bënin edhe punë të tjera që u kërkonte Sulejmani; dhe ata nuk mund të refuzonin apo kundërshtonin urdhrin e Sulejmanit, sepse Ne i ruanim ata me Fuqinë dhe Krenarinë Tonë, dhe kjo është shumë e lehtë për Ne.

[2] Kujto, o Muhamed, edhe robin dhe të dërguarin Tonë, Ejubin, të cilin e sprovuam me fatkeqësi e sëmundje të rëndë në trupin e tij, me humbje të fëmijëve e të pasurisë, dhe ai duroi me durimin më të mirë për një kohë shumëvjeçare, pastaj thirri Zotin e tij me fjalët: “Mua më ka goditur fatkeqësia, dhe Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve – prandaj largoje atë nga unë!”

[3] Ne iu përgjigjëm lutjes së Ejubit dhe e ngritëm fatkeqësinë që i kishte rënë, ia kthyem dyfish atë që kishte humbur nga familja e tij prej fëmijëve e pasurisë, si mëshirë nga ana Jonë për Ejubin dhe për të qenë shembull për çdokënd që duron për Hir të Allahut në fatkeqësi, duke shpresuar mëshirën e Allahut dhe duke adhuruar vetëm Allahun me përkushtim.

[4] Kujto gjithashtu Ismailin, Idrizin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta ishin nga të durueshmit në bindjen ndaj Allahut, në largimin nga ndalesat e Allahut dhe në caktimet e Allahut dhe sprovat e Tij, kështu që merituan të përmenden me lavdërim dhe për mirë. – Dhulkifël do të thotë Njeriu Garantues apo Sipërmarrës, i cili kishte marrë përsipër të kryente një punë të caktuar të një profeti apo mbreti të mirë, dhe e vazhdoi atë punë që kishte marrë përsipër dhe për të cilën kishte dal garant, edhe pas vdekjes së profetit apo mbretit, dhe kështu Allahu e llogariti atë nga robërit e Tij të durueshëm në bindjen ndaj Tij. [Taberiu].

[5] Ne i futëm ata, Ismailin, Idrizin dhe Dhulkiflin në mëshirën Tonë, sepse ata ishin vërtet nga njerëzit e mirë, të bindur ndaj Nesh dhe zbatues të urdhrave Tona.

[6] Kujto gjithashtu, o Muhamed, historinë e Njeriut të Balenës, Junus ibën Meta (alejhis selam), të cilin Allahu e dërgoi te populli i tij, dhe ai i ftoi ata në fenë e Allahut por ata nuk besuan, kështu që ai i kërcënoi ata me zbritjen e dënimin të Allahut mbi ta, por ata përsëri nuk u kthyen; atëherë ai nuk duroi me ta ashtu si e kishte urdhëruar Allahu, por u largoi nga qyteti i tyre i zemëruar dhe i inatosur me ata, me gjoksin të ngushtuar dhe i pikëlluar për shkak të mosbesimit të tyre, duke menduar se Allahu nuk do e ndëshkonte dhe nuk do e ngushtonte për këtë kundërshtim të urdhrit të Tij. Por Allahu e sprovoi atë duke e ngushtuar dhe duke e burgosur në barkun e balenës në mes të detit, në mes të natës, nga ku ai me pendesë të madhe thirri Zotin e vet që ta shpëtonte: “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje! Ti je i Pastër nga çdo e metë, dhe vetëm Ty të takon Lavdia! Me të vërtetë, unë isha nga të padrejtët kur nuk durova me popullin tim dhe u largova pa lejen Tënde, prandaj më fal dhe më shpëto mua!”

[7] Ne iu përgjigjëm shpejt lutjes së Junusit, dhe e shpëtuam atë nga dëshpërimi dhe ngushtimi i tij. Po kështu, si shpëtuam Junusin, Ne i shpëtojmë besimtarët e vërtetë, kur na thërrasin dhe kërkojnë ndihmën Tonë, kur janë në vështirësi.

[8] Kujto gjithashtu, o Muhamed, Zekerijan, kur ai iu lut Zotit të vet, pasi që kishte kaluar shumë në moshë: “Zoti im! Mos më lër të vetëm pa fëmijë që të jetë trashëgimtari im te njerëzit për çështjet e fesë dhe të besimit, megjithëse Ti je Trashëgimtari im më i mirë e i Përjetshëm, pas vdekjes dhe zhdukjes së të gjitha krijesave të Tua nga kjo botë!”

[9] Ne iu përgjigjëm lutjes së Zekerijas, dhe megjithëse në moshë të madhe, i dhuruam atij Jahjan, pasi ia rregulluam gruan dhe e bëmë atë që të lindte ndërsa ishte që nuk bënte fëmijë, si dhe e rregulluam për të pasur moralet më të larta. Me të vërtetë, ata (Zekerija, gruaja e tij dhe Jahja) shpejtonin në çdo vepër të mirë që ishte bindje ndaj Nesh, dhe Na luteshin e Na adhuronin duke shpresuar mëshirën dhe mirësinë Tonë dhe duke pasur frikë dënimin Tonë; dhe ishin plotësisht të përuluar ndaj Nesh dhe nuk tregonin kurrë asnjë lloj mendjemadhësie apo lodhje në adhurimin ndaj Nesh.

-329-


  1. (Kujto) Edhe atë që ruajti dëlirësinë e saj (Merjemen), dhe Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë, duke e bërë atë dhe birin e saj (Isain) provë për të gjitha botët.[1]
  2. Me të vërtetë, kjo është feja e të gjithë juve (Islami) – një fe e vetme, e Unë jam Zoti juaj, prandaj më adhuroni vetëm Mua![2]
  3. Megjithatë, njerëzit u ndanë në çështjen e fesë, por te Ne do të kthehen që të gjithë.[3]
  4. Kushdo që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do t’i mohohet përpjekja, dhe Ne ia shkruajmë atij të gjitha.[4]
  5. Është e pamundur që banorët e një vendi, të cilët Ne i kemi shkatërruar, të kthehen sërish në këtë botë.[5]
  6. As kur të çlirohen Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të vërshojnë me shpejtësi nga çdo kodër,
  7. dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti) – atëherë sytë e atyre që mohuan, do të zgurdullohen, (e do të thonë): “Oh, mjerë ne! Kemi qenë vërtet të pavëmendshëm ndaj kësaj, madje kemi qenë të padrejtë.”[6]
  8. Me të vërtetë, ju (mohues) dhe çdo gjë që adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lënda djegëse e Xhehenemit. Të gjithë ju do të hyni në të.[7]
  9. Sikur këta të ishin zota të vërtetë, nuk do të hynin në të (Xhehenem), por që të gjithë do të jenë aty përgjithmonë.[8]
  10. Ata do të kenë aty gulçim dhe aty nuk do të dëgjojnë (asgjë).[9]
  11. Me të vërtetë, ata të cilëve u ka prirë lumturimi nga Ne që më parë, do të mbahen larg tij (Xhehenemit).[10]

[1] Kujto gjithashtu, o Muhamed, historinë e Merjemes, bijës së Imranit, e cila e ruajti dëlirësinë dhe virgjërinë e saj, dhe nuk bëri kurrë një mëkat në jetën e saj, kështu që Ne dërguam tek ajo engjëllin Tonë, Xhibrilin, i cili fryu në xhepin e fustanit të saj shpirtin e nderuar që Allahu i kishte dhënë atij për krijimin e Isait, dhe ajo e mbarti atë pa lidhjen me një burrë. Dhe kështu, Allahu e bëri Merjemen dhe birin e saj, Isain, provë të Fuqisë së Tij për mbarë botët e njerëzve e të xhinëve, deri në ditën e Kiametit.

[2] Me të vërtetë, kjo është feja e të gjithë juve, të të dërguarve të Mi, Islami – një fe e vetme, e Unë jam Zoti i të gjithëve ju, o njerëz, prandaj më adhuroni vetëm Mua dhe mos më bëni shok në adhurim!

[3] Megjithëse feja e të dërguarve të Allahut është një fe e vetme, ndjekësit e të dërguarve u ndanë në grupe në çështjen e fesë së tyre, duke adhuruar krijesat dhe dëshirat e tyre, por tek Ne do të kthehen që të gjithë, për të dhënë llogari për atë që kanë bërë.

[4] Kushdo që bën vepra të mira në bindje ndaj Allahut, duke qenë se beson Allahun dhe të dërguarit e Tij, Allahu nuk do ia mohojë dhe nuk do ia humbë atij përpjekjen dhe veprën, madje do e shumëfishojë atë, dhe ai do t’i shohë të gjitha veprat e tij, të vogla e të mëdha, të shënuara në librin e tij të veprave në ditën e Ringjalljes, për të marrë më pas shpërblimin e shumëfishuar nga Allahu.

[5] Është e pamundur dhe e ndaluar nga Ne që banorët e një vendi, të cilët Ne i kemi shkatërruar dhe zhdukur për shkat të mohimit dhe padrejtësisë së tyre, të kthehen përsëri në këtë botë para ditës së Kiametit, që të kenë një mundësi të dytë për të vepruar mirë.

[6] Popujt e shkatërruar më parë nuk mund të kthehen në këtë botë, as kur të hapet tenda e Jexhuxhëve dhe Mëxhuxhëve, të cilën e ndërtoi Dhulkarnejni, e ata të vërshojnë me shpejtësi nga çdo kodër për të vrarë e shkatërruar njerëzit, dhe në këtë kohë është afruar premtimi i vërtetë i ditës së Kiametit – atëherë sytë e atyre që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij do të zgurdullohen e do të shqyhen nga tmerri, ndërsa ata do të bërtasin: “Oh, mjerë ne! Kemi qenë vërtet të pavëmendshëm ndaj kësaj dite dhe përgatitjes për të, madje kemi qenë të padrejtë për shkak të shkeljes së urdhrave të Zotit tonë dhe bindjes ndaj Iblisit dhe ushtrisë së tij, duke dhuruar të tjerë përveç Allahut dhe duke përgënjeshtruar të dërguarit e Tij.”

[7] Ju, o mohues e idhujtarë, dhe çdo gjë që adhuronit në vend të Allahut, duke qenë se i pëlqente ta adhuronit, qoftë prej njerëzve apo xhinëve, do të jeni lënda djegëse e Xhehenemit; që të gjithë ju do të hyni në të.

[8] Sikur këta që ju, o idhujtarë, i adhuroni në vend të Allahut, të ishin zota të vërtetë që meritonin të adhuroheshin, nuk do të hynin në zjarrin e Xhehenemit bashkë me ju, por që të gjithë ju – adhuruesit dhe të adhuruarit – do të qëndroni përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit.

[9] Idhujtarët dhe idhujt e tyre do të gulçojnë (do të marrin frymë me zor) në zjarrin e Xhehenemit nga dhimbjet e forta që do të kenë, dhe atje ata nuk do të dëgjojnë asgjë për shkak të tmerrit të dënimit që kanë.

[10] Me të vërtetë, ata të cilët i ka prirë lumturimi nga Ne që para krijimit të tyre, si Uzejri apo Isai që njerëzit i adhuruan si zota, si dhe të gjithë ata që Allahu e ka përfshirë në dijen e Vet që më parë se do të jenë të lumtur në të dyja botët, këta do të mbahen larg Xhehenemit, dhe nuk do të futën kurrë në të e as nuk do t’i afrohen atij. – Kjo ishte përgjigje për ata që thanë se meqenëse këta janë adhuruar nga njerëzit, atëherë do të jenë në zjarr bashkë me adhuruesit e tyre, por ky ajet i përjashton këta profetë dhe engjëjt që njerëzit i kanë adhuruar në verbëri, pasi këta nuk e kanë kërkuar kurrë adhurimin dhe as nuk e pranojnë kurrë atë.

-330-


  1. Ata nuk do të dëgjojnë as fërshëllimën më të vogël të tij (zjarrit të Xhehenemit), dhe në atë që u dëshiron vetja e tyre do të qëndrojnë përgjithmonë.[1]
  2. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh (i ditës së Kiametit) dhe engjëjt do t’i presin ata (duke i përgëzuar): “Kjo është dita juaj që ju premtohej.”[2]
  3. Atë Ditë, Ne do ta mbështjellim qiellin, ashtu si mbështillen rrotull shkresat e shkruara. Siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtim i detyrueshëm për Ne. Ne e bëjmë me të vërtetë këtë (i përmbushim premtimet).[3]
  4. Ne shënuam në Zebur (Librat Qiellor), pas shënimit të parë (në el Leuh el Mahfudh): “Tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.”[4]
  5. Me të vërtetë, në këtë (Kuran) ka mësim të mjaftueshëm për ata që janë të përkushtuar ndaj adhurimit (të Allahut).[5]
  6. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për të gjitha botët.[6]
  7. Thuaj (o Muhamed): “Ajo që më është shpallur mua është se Zoti juaj është një Zot i vetëm; pra, a nuk po i nënshtroheni Atij?”[7]
  8. Nëse ata kthejnë shpinën, atëherë thuaju: “Unë ju kam paralajmëruar të gjithëve dhe ne jemi njësoj (në njohjen e kohës së ndodhjes së dënimit tuaj); Unë nuk e di nëse është afër apo larg ajo me të cilën jeni kërcënuar.[8]
  9. Ai i di vërtet fjalët e thëna haptazi dhe i di ato që i fshihni.[9]
  10. Nuk e di, por ndoshta kjo (vonimi i dënimit) është sprovë për ju dhe kënaqje deri në një farë kohe.”[10]
  11. Pastaj (i Dërguari) tha: “Zoti im! Gjyko me të vërtetën (mes nesh)! Zoti ynë është i Gjithëmëshirshmi, të Cilit i kërkohet ndihma kundër atyre që thoni.”[11]

[1] Ata nuk do të dëgjojnë as fërshëllimën më të vogël të flakëve të zjarrit të Xhehenemit apo të djegies së trupave të banorëve të tij, sepse tashmë janë futur në vendbanimin e tyre të përhershëm të Xhenetit, ku kënaqen me gjithçka u dëshiron vetja dhe shpirti i tyre.

[2] Ata nuk do t’i frikësojë tmerri më i madh i ditës së Kiametit, madje engjëjt do t’i presin ata me përgëzimin: “Kjo është dita juaj që ju premtohej në dynja kundrejt bindjes ndaj Allahut, se në këtë ditë do të nderoheni nga Allahu dhe do të merrni shpërblimin e Tij të madh; dhe Allahu nuk e shkel premtimin e Tij.

[3] Në ditën e Kiametit, Ne do ta mbështjellim qiellin ashtu si mbështillen rrotull letrat e shkresave me shkrimet që përmbajnë. Pastaj do ta ripërsërisim krijimin ashtu si e krijuam për herë të parë nga asgjëja. Ky është premtim i detyrueshëm për Ne, të cilin Ne e kemi dhënë dhe i cili nuk mund të ndryshojë kurrë. Ne i kemi përmbushur gjithnjë premtimet Tona.

[4] Ne shënuam në Librat që kemi zbritur nga qielli – pas shënimit në Librin e parë, el Leuh el Mahfudh, që është tek Ne: “Tokën e Xhenetit do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë, të cilët veprojnë ato që i urdhëroj dhe largohen nga ato që i ndaloj.” – E ata janë populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[5] Me të vërtetë, në këtë që po lexoni dhe në këtë Kuran, ka mësim të mjaftueshëm për ata njerëz që janë të përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut, në atë mënyrë që Ai ka urdhëruar dhe që e pëlqen dhe e pranon prej tyre.

[6] Ne nuk të kemi dërguar ty, o Muhamed, veçse si mëshirë nga Ne për të gjitha botët dhe brezat e njerëzve e të xhinëve. – Kushdo që të beson dhe të pason ty, do të shpëtojë dhe do të lumturohet, dhe kushdo që do të bëjë të kundërtën, do të humbë dhe do të mjerohet.

[7] Thuaju idhujtarëve, o Muhamed: “Ajo që më është shpallur mua është se ju nuk keni zot tjetër që meriton të adhurohet përveç një Zoti të vetëm, i Cili është i Vetmi që meriton të adhurohet; prandaj nënshtrojuni dhe dorëzojuni Atij, duke adhuruar vetëm Atë dhe duke iu bindur Atij si muslimanë të vërtetë?”

[8] Nëse ata i kthejnë shpinën thirrjes tënde, o Muhamed, dhe nuk e pranojnë Islamin, atëherë thuaju: “Unë ju kam paralajmëruar të gjithëve për atë që më ka shpallur Allahu, dhe si ju ashtu edhe unë jemi njësoj në njohjen e kohës së ndodhjes së asaj që ju kam paralajmëruar, dhe unë nuk e di se kur do t’ju vijë dënimi me të cilin kërcënoheni, por atë e di vetëm Allahu…

[9] Allahu i di të gjitha fjalët që ju i thoni haptazi dhe ato që i fshihni në mesin tuaj apo brenda vetes suaj, dhe do t’ju kërkojë llogari për të gjitha ato.

[10] Nuk e di, por ndoshta vonimi i dënimit tuaj, të cilin ju kërkoni që t’ju vijë shpejt, është sprovë dhe mashtrim për ju, që ju të kënaqeni edhe për pak kohë në këtë botë, që t’ju shtohet mohimi dhe mëkati, dhe si rezultat edhe dënimi juaj do të jetë më i madh dhe më i rëndë.”

[11] Në fund, i Dërguari i Allahut tha: “Zoti im! Gjyko me drejtësinë e vërtetë mes nesh dhe popullit tonë mohues! Ne i lutemi Zotit tonë të Gjithëmëshirshëm, duke kërkuar ndihmën e Tij kundër atyre që trilloni ju – o mohues – prej idhujtarisë, përgënjështrimit dhe shpifjes për Allahun (kur thoni se Ai ka fëmijë) dhe ndaj meje (kur më cilësoni si magjistar apo poet), apo kur thoni se do të na vrisni apo do të na dëboni!”

-331-