SURJA EL EN‘AM – BAGËTITË

(Surja Nr. 6, Mekase, 165 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. I gjithë lavdërimi i përket Allahut[1] që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën.[2] E megjithatë, ata që mohuan, barazojnë të tjerë me Zotin e tyre.[3]
  2. Është Ai që ju krijoi nga balta[4], pastaj caktoi një afat[5] (vdekjen) dhe një afat tjetër që është tek Ai[6] (ringjallja), por përsëri ju dyshoni.[7]
  3. Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë[8]; Ai di çfarë fshihni dhe çfarë shfaqni, dhe di çfarë punoni.[9]
  4. Sa herë që atyre (mohuesve) u vjen ndonjë provë nga provat e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën.[10]
  5. Kur u erdhi e vërteta[11], ata e mohuan atë, por së shpejti do t’u vijnë lajmet e asaj me të cilën talleshin.[12]
  6. A nuk e kanë parë ata[13] se sa breza kemi zhdukur para tyre[14]?! Madje, atyre u kishim dhënë më shumë fuqi në tokë[15] sesa ju kemi dhënë juve[16], u zbritëm atyre shira të bollshëm dhe bëmë që ndër ta të rrjedhin lumenj; por, për shkak të gjynaheve të tyre[17], i shfarosëm ata dhe, pas tyre krijuam breza të tjerë.[18]
  7. Edhe sikur Ne të të zbritnim ty (o Muhamed) një Libër të shkruar në letër e ata ta preknin me duart e tyre,[19] ata që mohuan me siguri që do të thoshin: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse magji e qartë[20].”
  8. Ata thanë[21]: “Përse të mos i zbresë atij (Muhamedit) një engjëll?![22] Por, sikur të zbrisnim engjëll, gjithçka do të merrte fund dhe atyre nuk do t’u jepej asnjë afat.[23]

[1] Prandaj vetëm Allahun lavdëroni e falënderoni me sinqeritet, sepse Ai është Krijuesi dhe Zoti juaj, dhe Krijuesi i gjithçkaje që ekziston.

[2] Bëri errësirat e natës dhe dritën e ditës; errësirat e injorancës, mohimit dhe idhujtarisë, dhe dritën e dijes, besimit dhe bindjes ndaj Tij. Kjo është provë e prerë se Allahu i Madhëruar është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe adhurimi duhet te jetë vetëm për Të, por megjithatë, ata që mohuan barazojnë të tjerë me Allahun në adhurim duke i adhuruar dhe madhëruar ata ashtu si i përket vetëm Allahut.

[3] I bëjnë shok Allahut duke adhuruar idhujt dhe gjëra të tjera përveç apo përkrah Allahut, ndërkohë që ato gjëra që ata i barazojnë me Allahun nuk kanë krijuar asgjë as nuk kanë fuqi për asgjë, as për vete as për të tjerët; atëherë me çfarë logjike i bëjnë shok Allahut dhe adhurojnë të tjerë ashtu si duhet të adhurojnë vetëm Allahun?! Thuhet se ky ajet ka qenë ajeti i parë hapës i Teuratit, apo Fatihaja e Teuratit. [Taberiu]. Ky ajet është me të vërtetë një provë më se e qartë dhe shumë domethënëse, këshillë e shkurtër dhe kuptimplotë për ata që meditojnë me logjikë dhe arsyetojnë me mendje të shëndoshë rreth tij.

[4] Njeriu i parë në tokë dhe babai i njerëzimit është krijuar nga balta.

[5] Afatin e jetës në këtë botë për të vepruar dhe për t’u provuar.

[6] Ringjallja në Ditën e Llogarisë ku secili do të shpërblehet për veprat e bëra në dynja.

[7] Dyshoni në Fuqinë e Allahut për krijimin e qiejve e të Tokës, për krijimin tuaj nga balta, për ringjalljen tuaj pas vdekjes dhe dhënien llogari për veprat tuaja para Allahut.

[8] Allahu është Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe vetëm Ai duhet të adhurohet në qiej e në Tokë. Atij i takon adhurimi dhe madhërimi në qiej e në Tokë, nga engjëjt dhe nga njerëzit e xhinët, e nga të gjitha krijesat e Tij.

[9] Prandaj ruajuni mëkatit ndaj Tij dhe kujdesuni të bëni ato punë që ju afrojnë tek Ai dhe te Mëshira e Tij, sepse Ai jua regjistron të gjitha veprat që bëni dhe i di qëllimet tuaja, pastaj ju shpërblen sipas asaj që meritoni kur të ktheheni tek Ai.

[10] I mohojnë me kryeneçësi dhe arrogancë.

[11] Kur iu erdhi Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me Kuranin dhe Islamin.

[12] Do ta marrin vesh të vërtetën e asaj me të cilën mohuesit talleshin prej provave të Allahut, dhe do të shijojnë ndëshkimin e rëndë e të merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[13] Ata që mohuan provat e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[14] Popujt e mëparshëm që mohuan të dërguarit e Allahut tek ata dhe që Allahu i shfarosi për shkak të mohimit dhe kryeneçësisë së tyre edhe pasi i panë hapur me sytë e tyre provat e qarta të Allahut, dhe si pasojë, mirësitë e mëdha të Allahut iu shndërruan në ndëshkim të merituar.

[15] Iu kishim dhënë më shumë pushtet, pasuri, fëmijë e komoditet.

[16] Mohuesve të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të provave të Allahut.

[17] Mohimit të mirësive të Allahut dhe mosfalënderimin e Allahut për to, mohimin e të dërguarve të Allahut dhe të provave të Allahut, e të gjitha gjynahet dhe veprat e tyre të këqia.

[18] Njerëz dhe popuj të tjerë të ndryshëm nga ata.

[19] Sikur të zbritnim një libër direkt nga qielli e ata ta shihnin këtë gjë dhe ta preknin me duart e tyre për t’u siguruar që është real.

[20] Magji e qartë për ata që e vështrojnë mirë dhe që nuk iu mashtrohen sytë, sepse sipas tyre, ajo është diçka joreale. Kështu janë mohuesit e së vërtetës: kryeneçë të pabindur, sepse nuk është se i Dërguari e la mangut misionin e tij apo se nuk u solli atyre prova të qarta e të padiskutueshme, as sepse ata nuk dinin dhe nuk e kishin parë të vërtetën, por nga ligësia, padrejtësia dhe kryeneçësia e tyre i mohuan provat e Allahut dhe i quajtën ato “magji e qartë”. Kjo, që të bëhet e qartë se dënimi i tyre është më se i merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[21] Mohuesit dhe idhujtarët e Mekës në atë kohë, duke vazhduar me kokëfortësi në arrogancën dhe kryeneçësinë e tyre të mbështetur në injorancë dhe jashtë çdo logjike.

[22] Në formën e tij reale dhe të dëshmojë se ti, o Muhamed, je vërtet i Dërguari i Allahut dhe se ajo që të shpallet ty është vërtet nga Allahu. (Shih gjithashtu ajetin nr. 7, të sures El Furkan).

[23] Sikur të zbritnim engjëll nga qielli në formën e tij dhe ata ta shihnin me sytë e tyre pastaj ta mohonin atë, atyre do t’u vinte dënimi i Allahut dhe do të shfaroseshin në vend pa ju dhënë asnjë afat tjetër që të mund të pendoheshin e të kërkonin falje, njësoj si ka ndodhur me popujt e mëhershëm që mohuan provat e qarta të Allahut edhe pse vetë ata i kërkuan dhe pastaj i mohuan, e Allahu i shfarosi ata pa i dhënë afat tjetër. Ky është ligj universal i Allahut për të gjithë ata që kërkojnë prova nga Allahu, por kur i shohin me sytë e tyre, i mohojnë ato me kryeneçësi: atyre u vjen dënimi i merituar menjëherë; kështu që moszbritja e engjëllit nga Allahu ishte mëshirë për ata që e kërkuan atë si rezultat i mëshirës për të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili gjithësesi nuk e kërkoi kurrë provën e Allahut dhe as zbritjen e dënimit mbi popullin e vet.

-128-


  1. Edhe sikur Ne ta dërgonim engjëll atë (të dërguarin),[1] sigurisht që do t’i jepnim atij pamje njeriu[2] dhe, kështu, do të bënim që të pështjelloheshin ashtu si aktualisht janë të pështjelluar.[3]
  2. Edhe të dërguar të tjerë para teje janë përqeshur, por ata që përqeshnin i përfshiu dënimi me të cilën ata talleshin.[4]
  3. Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë përfundimi kanë pasur përgënjeshtruesit”.[5]
  4. Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Përgjigju: “Vetëm Allahut!”[6] Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën[7] dhe, me siguri, do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka pikë dyshimi.[8] Ata që i kanë shkaktuar humbjen vetvetes, kurrë nuk do të besojnë.[9]
  5. E Tij është gjithçka që pushon natën apo ditën.[10] Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[11]
  6. Thuaj: “A të marr mbrojtës tjetër përveç Allahut,[12] Krijuesit të qiejve e të Tokës,[13] i Cili ushqen,[14] ndërsa Vetë nuk ushqehet”[15]. Thuaj (o Muhamed): “Unë jam urdhëruar që të jem i pari që i nënshtrohet Allahut”[16] dhe kurrsesi mos u bë prej idhujtarëve!
  7. Thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një Dite të Madhe, nëse e kundërshtoj Zotin tim”. [17]
  8. Ai që shpëtohet nga dënimi i asaj dite, atë e ka mëshiruar Zoti[18]; Ky është shpëtimi i qartë[19].
  9. Nëse Allahu të godet me ndonjë fatkeqësi,[20] askush përveç Tij nuk mund të ta largojë atë.[21] E nëse të dhuron ndonjë mirësi[22], padyshim se Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.[23]
  10. Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet[24]; Ai është i Urti, Njohësi i gjithçkaje në hollësi.[25]

[1] Sikur Allahu t’i dërgonte engjëll njerëzve për të kumtuar shpalljen e Tij.

[2] Sepse njerëzit nuk mund ta shohin engjëllin në pamjen e tij reale, sepse krijimi i tyre nuk e përballon dot këtë.

[3] Në lidhje me të dërguarin e Allahut tek ata, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili është njeri dhe ata janë të pështjelluar në lidhje me çështjen e tij; po kështu do të ishin edhe sikur ai të kishte qenë engjëll me pamje njeriu, sepse ata gjithësesi nuk do e dinin realitetin e tij dhe rruga që ata kërkojnë për ta mësuar atë është e gabuar sepse nuk të çon veçse në pështjellim tjetër të njëjtë si ai që kërkojnë të vërtetojnë. Kur e vërteta u erdhi atyre nga rruga e saktë dhe reale, ata i mbyllën derën asaj dhe hapën dyert e humbjes dhe pështjellimit, kështu që faji është gjithësesi i vetë atyre.

[4] Kur popujt e mëparshëm i mohonin provat që Allahu i jepte të dërguarve të Tij dhe talleshin me ta dhe me dënimin me të cilin ata i kishin kërcënuar nëse do të mohonin provat e qarta të Allahut, ai dënim me të cilin ata talleshin zbriste mbi ta dhe i shfaroste nga faqa e dheut.

[5] Thuaju atyre që barazojnë idhujt me Allahun dhe që i adhurojnë ato përkrah Allahut, të udhëtojnë nëpër botë dhe të shohin se si janë zhdukur e shfarosur përgënjeshtruesit e të dërguarve të Allahut, se ndoshta kjo gjë po i bën t’i thërrasin mendjes dhe të mos përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, nga frika se mos i gjen ajo që i gjeti edhe të tjerët para tyre. Meqënëse atyre nuk ju bëjnë dobi provat e Allahut, le të shohin këtë realitet të kryer që të jetë shembull për ta, se ndoshta marrin mësim dhe kthehen te e vërteta.

[6] Gjithçka në qiej e në tokë i përket vetëm Allahut, dhe askush nuk mund të thotë se i përket dikujt tjetër, apo idhujve që nuk zotërojnë as vetveten; kështu që përse vazhdoni në arrogancë e përgënjeshtrim?!

[7] Mëshirën ndaj robërve të Tij, duke mos iua shpejtuar atyre dënimin dhe vdekjen menjëherë pas mohimit dhe gjynahut, por duke iu dhënë afat që të pendohen.

[8] Dhe atje do i japë secilit atë që meriton si rezultat i veprave të veta në dynja.

[9] Idhujtarët dhe mohuesit i shkaktojnë humbjen vetvetes me idhujtarinë dhe mohimin e tyre, sepse kështu ata tërheqin hidhërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij të rreptë; dhe ata kurrë nuk do të besojnë pas mohimit të provave të patundshme logjike dhe hyjnore që Allahu i ka përmend në këtë sure për të vërtetuar Njësimin e Tij dhe për të rrëzuar çdo grimcë të idhujtarisë dhe mosbesimit.

[10] Çdo krijesë është pronë e Allahut, dhe shprehja “që pushon” i përfshin të gjitha krijesat që ekzistojnë, qoftë ato që nuk lëvizin apo ato që ndalen pas lëvizjes, dhe përderisa është kështu, atëherë si mund të adhurohet tjetërkush përveç Krijesit dhe Zotëruesit të gjithçkaje që ekziston?! Me çfarë logjike mund të adhurohet tjetërkush përveç Zotit të vërtetë!

[11] Allahu dëgjon çdokënd, gjithçka, çdo zë, kudo, dhe po kështu di dhe njeh në hollësi gjithçka për çdokënd, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai di edhe atë që nuk ekziston, e nëse do të ekzistonte, e di se si do të ishte. Ai di gjithçka të shfaqur apo të fshehur, regjistron gjithçka për çdo njeri dhe secilit i jep shpërblimin e veprës që bën në këtë botë.

[12] Prej krijesave të Allahut që janë të pafuqishme dhe që nuk kanë mundësi të më mbrojnë nga e keqja apo të më sjellin dobi?

[13] Krijuesit, rregulluesit dhe mbajtësit të qiejve dhe tokës.

[14] Furnizon dhe mban gjallë të gjitha krijesat e Veta.

[15] Ushqimi është i nevojshëm për njeriun dhe krijesa të tjera, por Allahu nuk ka nevojë për asgjë, as për të ngrënë e as për të pirë, sepse Ai është Zot, Krijues, Absolut, larg dobësive dhe të metave, Zot i gjithçkaje që nuk ia ka nevojën asgjëje, por të gjitha krijesat kanë nevojë për Të.

[16] I pari musliman i nënshtruar Allahut, në kohën e vet; që adhuron vetëm Allahun, i bindet urdhrave të Tij dhe i largohet ndalesave të Tij.

[17] Thuaju atyre idhujtarëve që të ftojnë në idhujtari, se Allahu ta ka ndaluar të adhurosh dikë apo diçka tjetër përveç Tij, e nëse e thyen urdhrin e Tij dhe i bën shok Allahut, atëherë do të kesh dënim të rëndë në Ditën e madhe të llogarisë para Krijuesit të gjithësisë.

[18] Vetëm me mëshirën e Allahut mund të shpëtojë njeriu nga dënimi i sigurtë që meriton në botën tjetër për veprat që ka bërë në dynja, vërtet Allahu është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti; Zoti ynë! Na përfshi me dhë në mëshirën Tënde!

[19] Shpëtimi nga dënimi i sigurtë dhe fitorja e madhe dhe e qartë e asaj që besimtari do dhe kërkon: arritja e kënaqësisë së Allahut dhe e shpërblimit të Tij bujar e të pashtershëm.

[20] Me ndonjë vështirësi apo çdo lloj sprove në jetën e kësaj bote.

[21] Askush përveç Allahut nuk mund të ta largojë të keqen që të ka rënë, as ndonjë idhull, as ndonjë shenjtor i gjallë apo i vdekur, e askush tjetër, por vetëm Allahu; kështu që si adhuroni e lusni të tjerë përveç Allahut?!

[22] Nga të mirat dhe begatitë e jetës së kësaj bote.

[23] Fuqia e Allahut është absolute dhe askush e asgjë nuk mund ta pengojë Atë, kurse idhujt që adhurojnë idhujtarët, e çdo gjë tjetër që adhurohet përveç Allahut, nuk ka fuqi të ndihmojë as vetveten as të tjerët; atëherë, si adhuroni tjetër përveç Allahut?!

[24] Allahu është Sunduesi, nënshtruesi, gjunjëzuesi i krijesave të Tij, dhe Ai është mbi ta.

[25] Allahu është i Urtë në ngritjen dhe lartësinë e Tij mbi krijesat e Tij, i Plotëfuqishëm mbi ta me Fuqinë e Tij, Njohës i mirë i gjithçkaje që është në të mirë apo në të keqe të krijesave të Tij, që nuk i shpëton asgjë nga përfundimi i gjërave apo fillimi i tyre, rregullit dhe sistemimit të të Cilit nuk mund t’i ndodhë asnjë defekt apo mangësi.

-129-


  1. Thuaj (O Muhamed!): “Cila është dëshmia më e madhe që ekziston[1]?” – Përgjigju: “Allahu është dëshmitar mes meje dhe jush[2]. Mua më është shpallur ky Kuran, që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që ai i kumtohet[3]. A mos vallë ju dëshmoni se përveç Allahut ka të adhuruar të tjerë[4]?” Thuaj: “Unë nuk dëshmoj[5]”. Thuaj: “I Adhuruari është vetëm Një Zot dhe unë jam i pastër nga gjithçka që ju i shoqëroni Atij”[6].
  2. Ata, të cilëve Ne u kemi dhënë Librin, e njohin atë[7] (Muhamedin dhe Islamin), ashtu si i njohin fëmijët e tyre, por ata që e humbin vetveten[8], ata nuk besojnë.[9]
  3. E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron provat e Tij?! Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë.[10]
  4. Atë ditë kur t’i tubojmë të gjithë[11], pastaj t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit[12]?!”
  5. Ata nuk do të shfajësohen ndryshe, veçse duke thënë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, nuk kemi qenë idhujtarë!”[13]
  6. Shiko se si gënjejnë kundër vetvetes; kurse sa për zotat që ata i trilluan, nuk do i gjejnë kurrkund.[14]
  7. Disa prej tyre[15] të dëgjojnë ty (o Muhamed), por Ne kemi vënë mbulesë mbi zemrat e tyre dhe shurdhim në veshët e tyre, që ata të mos e kuptojnë atë që thua (Kuranin). Madje edhe sikur t’i shihnin të gjitha provat Tona, ata sërish nuk do të besonin, prandaj kur vijnë tek ti për të polemizuar, mohuesit thonë: “Ky (Kurani) nuk është tjetër, veçse legjenda të të parëve”!
  8. Ata i ndalojnë të tjerët nga ai (Muhamedi dhe Kurani), dhe i largohen edhe vetë, por ata nuk dëmtojnë veçse vetveten, ndonëse nuk e vënë re.[16]
  9. Veç sikur t’i shihje ata (idhujtarët) kur të ndalen mbi zjarr, e të thonë: “Ah! Sikur të ktheheshim edhe një herë (në dynja), nuk do t’i mohonim provat e Zotit tonë dhe do të ishim prej besimtarëve!”[17]

[1] Cila është dëshmia  më e madhe, më e vërtetë dhe më e pagabueshme që ekziston dhe Cili është Dëshmuesi më i Madh dhe më i Vërtetë, që të dëshmojë të vërtetën rreth profetësisë së Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fesë së tij?

[2] Dëshmia më e madhe e Dëshmitarit Absolut është gjykuese mes meje dhe jush; e ajo dëshmi është në krahun e të Dërguarit të Allahut dhe kundër idhujtarëve mohues të tij dhe misionit të tij.

[3] Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) urdhërohet t’u thotë idhujtarëve përgënjestrues të tij se Allahu është Dëshimtar mes tij dhe atyre, dhe se atij i është shpallur Mesazhi i madh qiellor, që i paralajmëron ata idhujtarë dhe këdo që dëgjon për të (Kuranin dhe Muhamedin) në çdo kohë e vend, deri në Ditën e Kiametit, se kushdo që nuk e beson atë dhe nuk vepron sipas mësimeve dhe udhëzimeve të tij, do të marrë dënimin e merituar nga Allahu dhe do të jetë i humbur e i mjerë përgjithmonë.

[4] Idhuj që ju, o idhujtarë, i adhuroni.

[5] Atë që dëshmoni ju: që përveç Allahut të ketë të adhuruar e zota të tjerë, madje e mohoj dhe e luftoj fuqishëm këtë.

[6] Vetëm Zoti meriton të adhurohet dhe vetëm Atij duhet t’i dedikohet adhurimi i të gjitha krijesave, sepse vetëm Ai është Zoti dhe Krijuesi i tyre i vetëm dhe absolut. Ky ishte misioni i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i të gjithë të dërguarve të Allahut para tij: adhurimi i Një Zoti të vetëm dhe thirrja e njerëzve në këtë adhurim, si dhe luftimi i idhujve dhe gjithçkaje tjetër që adhurohet përveç Allahut.

[7] Hebrenjtë dhe të krishterët e njohin njësimin e Allahut dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet, dhe e njohin profetësinë e Muhamedit dhe se ai është i dërguari i Allahut me fenë e vërtetë për mbarë njerëzimin, deri në ditën e Kiametit; e njohin dhe e dinë mirë këtë gjë sepse e gjejnë të shënuar në Librat e tyre qiellorë, në Teurat dhe në Inxhil.

[8] Ata që i sjellin humbjen vetvetes me mohimin e Muhamedit dhe fesë së tij, ndërkohë që ishin të vetëdijshëm për vërtetësinë e tij, duke shkaktuar kështu hedhjen e tyre në zjarrin e xhehenemit, ata megjithëkëtë nuk besojnë, d.m.th. nuk e ndjekin besimin e vërtetë edhe pse e dinë që ai është i vërtetë!

[9] Vazhdojnë me kokëfortësi në mosnënshtrimin e tyre para së vërtetës, dhe kjo gjë është mosbesim, kështu që humbja e tyre pas kësaj është vërtetë e madhe: humbja e banimit të përjetshëm në parajsë, dhe ndërrimi i tij me qëndrim të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit, Allahut na ruajtë!

[10] Të padrejtët, ata të cilët trillojnë gënjeshtër për Allahun dhe i bëjnë shok Atij; ata të cilët përgënjeshtrojnë provat e Allahut dhe të Dërguarit e Tij, nuk do të kenë shpëtim në këtë botë, e padyshim se ndëshkimi në botën tjetër do të jetë më i ashpër dhe pa mbarim, sepse kjo është padrejtësia më e madhe që bën njeriu: mohimi i Allahut dhe i provave të Tij, dhe shokvënia Allahut në adhurim dhe gjithka që i përket vetëm Allahut.

[11] Në Ditën e Gjykimit.

[12] Që pretendonit se ishin zota dhe që i adhuronit padrejtësisht në vend të Allahut apo përkrah Tij. Pyetje ironike, poshtëruese dhe sfiduese, sepse ata e dinë shumë mirë se idhujt e tyre nuk mund të shpëtojnë as veten e tyre, dhe ato nuk mund të sjellin dobi dhe as të dëmtojnë, por afati i jetës në banesën e provës mbaroi dhe tani është koha e shpërblimit për veprat e bëra.

[13] Do e mohojnë idhujtarinë dhe zotat që adhuronin në dynja, duke qenë të vetëdijshëm se ata e kanë bërë atë gjë dhe Allahu e di shumë mirë se ç’kanë bërë ata, por që të vërtetohet se kush janë ata dhe cila është natyra e tyre përgënjeshtruese dhe fshehëse e së vërtetës. Kur ata ta mohojnë idhujtarinë dhe zotat që adhuronin në dynja, atëherë do të jenë gjymtyrët e tyre ato që do të flasin dhe do të përgënjeshtrojnë fjalët e tyre, sepse gjymtyrët do të dëshmojnë atë që ato kanë vepruar në dynja, siç e tregon Allahu në ajetin 42 të sures En Nisa.

[14] Zotat dhe idhujt e tyre nuk do ju bëjnë dobi atë Ditë, madje ato do të ndëshkohen për vete, nëse kanë qenë tagutë (që i urdhëronin njerëzit t’i adhuronin ata apo që iu pëlqente të adhuroheshin). Në disa transmetime thuhet se kur idhujtarët do të shohin atë Ditë se në xhenet do të hyjnë vetëm muslimanët, i thanë njëri-tjetrit që të thonë se ata nuk kanë qenë kurrë idhujtarë, por Allahu iua mbylli gojët dhe i urdhëroi gjymtyrët e tyre që të flasin dhe të dëshmojnë se çfarë kanë vepruar ata në dynja [Jasin, 65]; atëherë, kur panë këtë gjë, idhujtarët dhe mohuesit “dëshiruan të rrafshoheshin me tokën dhe Allahut të mos i kishin fshehur asnjë fjalë.” [En Nisa, 42].

[15] Disa prej idhujtarëve kurashit e dëgjonin ndonjëherë atë që thoshte i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), por jo me qëllim që të mësonin të vërtetën dhe të besonin, por me qëllim që ta luftonin atë, prandaj edhe nuk mund ta kuptonin atë që ai thoshte prej shpalljes Hyjnore, Kuranit.

[16] Sa do që të përpiqen mohuesit dhe idhujtarët për të penguar njerëzit nga e vërteta dhe rruga e drejtë, ata nuk do të munden kurrë të çojnë në humbje atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, kështu që nuk do të dëmtojnë e shkatërrojnë veçse veten e tyre duke tërhequr zemërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij të ashpër në të dyja botët.

[17] Në fakt ata nuk janë të sinqertë as në këtë dëshirë të tyre, sepse nuk kanë për qëllim që të kthehen në dynja e të bëhen vërtet të mirë, të besojnë e të bëjnë vepra të mira, por kanë për qëllim vetëm shprehjen e gjoja keqardhjes dhe pendimit si e si të shpëtojnë nga zjarri dhe asgjë tjetër; përndryshe, edhe sikur të ktheheshin në dynja, ata do të vepronin përsëri njësoj si herën e parë, siç e thotë i Gjithëdijshmi në ajetin në vijim.

-130-


  1. Përkundrazi, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin[1], por edhe sikur të ktheheshin (në dynja), ata përsëri do t’i ktheheshin atyre që iu ishin ndaluar.[2] Vërtet, ata janë gënjeshtarë.[3]
  2. Dhe do të thoshin: “Nuk ekziston veçse jeta në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi”.[4]
  3. Veç sikur t’i shihje ata kur të ndalen para Zotit! Ai do t’iu thotë: “A nuk është e vërtetë kjo (ringjallja)?” Ata do të përgjigjen: “Po, për Zotin tonë, e vërtetë është!” Allahu do t’u thotë: “Atëherë, shijoni dënimin, meqenëse e mohonit atë!”[5]
  4. S’ka dyshim që janë të humbur ata që e përgënjeshtrojnë takimin me Allahun![6] Kur Ora (e Ringjalljes) t’u vijë befasisht,[7] ata do të thonë: “Të mjerët ne, sa shumë që e neglizhuam atë[8]!”, dhe ndërkohë, mbi shpinë ata bartin gjynahet e veta. Sa barrë të keqe që bartin![9]
  5. Në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim,[10] kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut.[11] Pra, a nuk po arsyetoni?[12]
  6. Ne e dimë se ty (o Muhamed) të brengos ajo që thonë ata[13]. Por, në të vërtetë, nuk je ti ai që përgënjeshtrojnë ata, por janë provat e Allahut ato që të padrejtët përgënjeshtrojnë.[14]
  7. Edhe para teje (o Muhamed!), janë përgënjeshtruar shumë të dërguar, por ata e duruan përgënjeshtrimin dhe lëndimin që iu bë, deri sa u erdhi ndihma Jonë, e askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Allahut.[15] Ty tashmë të kanë ardhur disa lajme për ata të dërguar.[16]
  8. E nëse ty të mundon refuzimi i tyre, atëherë po munde, kërko një zgavër në tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre një provë[17]! Sikur të donte Allahu, do t’i kishte udhëzuar të gjithë ata në rrugë të drejtë, prandaj mos u bëj nga të padijshmit![18]

[1] Veprat e këqija që bënin në dynja dhe që i fshihnin nga sytë e njerëzve, tashmë iu dolën sheshit dhe u turpëruan para të gjithëve.

[2] Do t’i ktheheshin të njëjtave vepra që bënin edhe më parë në dynja: mohimit të Allahut dhe të provave e shpalljeve të Tij, përgënjeshtrimit të të Dërguarit të Allahut, veprave të këqija që Allahu i ka ndaluar.

[3] Gënjejnë kur thonë se do të besonin dhe do të bënin vepra të mira sikur të ktheheshin edhe një herë në dynja. Përkundrazi, ata do t’i ktheheshin të njëjtave vepra dhe nuk e thonë këtë gjë në këtë ditë vetëm e vetëm që t’i shpëtojnë dënimit dhe zjarrit.

[4] Sikur të ktheheshin edhe një herë në dynja, idhujtarët dhe mohuesit përsëri do e mohonin jetën pas vdekjes dhe ringjalljen pas tretjes dhe zhdukjes nga kjo botë, sepse duke e mohuar botën tjetër, ata nuk kishin pse t’a vrisnin mendjen për gjynahet dhe të këqiat që bënin, përderisa nuk shpresonin as shpërblim për besimin dhe veprat e mira dhe as nuk i frikësoheshin dënimit për mohimin e Allahut dhe veprat e këqia. Ata gjithësesi do të mohonin ashtu si mohuan herën e parë dhe ashtu si mohojnë të gjithë mohuesit e Allahut dhe të fesë së vërtetë në jetën e kësaj bote.

[5] Atë ditë, kur të ndalen para Zotit të tyre, idhujtarët dhe mohuesit do ta shohin të vërtetën e ringjalljes dhe llogarisë, dhe do të marrin dënimin e tyre të merituar për shkak të mohimit të Zotit dhe provave të Tij që ata i panë dhe i përjetuan në dynja, dhe për ta nuk do të ketë asnjë justifikim.

[6] Ata që e përgënjeshtrojnë takimin me Allahun; ringjalljen pas vdekjes, shpërblimin dhe dënimin në botën tjetër për veprat e bëra në këtë botë, xhenetin dhe xhehenemin, s’ka dyshim se ata kanë humbur humbjen më të madhe: dënim të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit!

[7] Ora kur Allahu do të ringjallë të vdekurit nga varret e tyre.

[8] Ringjalljen dhe llogarinë për veprat e bëra në dynja. Vetëm pasi e shohin humbjen e vërtetë në tregtinë e jetës së tyre, duke blerë dynjanë dhe duke shitur besimin dhe botën tjetër, vetëm atëherë shprehin pendimin e tyre të thellë për neglizhimin e tyre në dynja.

[9] Veprat e tyre të këqia; barra që do i tërheqë dhe do i fundosë përjetësisht në xhehenem!

[10] Lojë dhe argëtim i përkohshëm dhe mashtrues, dhe jo ashtu si thonë idhujtarët: “nuk ekziston veçse jeta në këtë botë”, sepse jeta në këtë botë mbaron shpejt, njësoj si loja dhe dëfrimi, dhe pas saj vjen llogaria dhe shperblimi apo dënimi, sepse kjo botë është provë për njeriun, në kalimin apo jo të së cilës qëndron shpërblimi apo dënimi i tij në botën tjetër të përheshme. Prandaj mos u mashtroni nga dynjaja, sepse ai që mashtrohet prej saj, së shpejti do të pendohet për këtë.

[11] Besimi tek Allahu dhe te i Dërguari i Tij, bindja ndaj urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij, veprat e mira për Hir të Allahut dhe duke shpresuar arritjen e pëlqimit dhe kënaqësisë së Tij, si dhe shpërblimin e Tij të madh në botën tjetër, të gjitha ato vepra që mbesin përgjithmonë dhe që e shoqërojnë njeriun në varr dhe në botën tjetër, padyshim se është më e mirë se loja dhe kënaqësitë mashtruese të kësaj bote të përkohshme dhe shumë të shkurtër, kënaqësitë e së cilës përfundojnë së bashku me të.

[12] I drejtohet përgënjeshtruesve të ringjalljes dhe botës tjetër: a nuk arsyetoni për të vërtetën e ringjalljes që ne po ju tregojmë, dhe se jeta e kësaj bote është lojë e argëtim i përkohshëm, ndërkohë që ju e shihni me sytë tuaj këtë realitet tek njerëzit tuaj që vdesin e nuk kthehen, tek fatkeqësitë që ju kapin befasisht, tek jetëshkurtësia e kënaqësisë që kaloni dhe dhimbjet e pendimi që e pasojnë atë kënaqësi të shkurtër; pra, a nuk po arsyetoni dhe të ktheheni tek logjika juaj: t’i përuleni Allahut dhe të adhuroni vetëm Atë me sinqeritet, e t’i bindeni Atij tërësisht, në mënyrë që të shpëtoni nga dënimi i zjarrit në botën tjetër dhe të fitoni xhenetin dhe shpërblimin e Allahut?!

[13] Përgënjeshtrimi që të bëjnë ty si i Dërguari i Allahut, dhe fjala e tyre se Kurani që të shpallet nga Allahu nuk është prej Tij.

[14] Të padrejtët: idhujtarët dhe mohuesit, në realitet e dinin se Muhamedi nuk gënjen dhe se ai është vërtet i dërguari i Allahut, por ata mohonin dhe përgënjeshtronin Allahun dhe të vërtetën që ka ardhur prej Tij, nga kryeneçësia dhe arroganca e tyre; kështu që ti, o Muhamed, nuk ke pse të mërzitesh e të brengosesh nga përgënjeshtrimi i tyre, por ndiq misionin tënd që të ka ngarkuar Allahu, ashtu si vëllezërit e tu të dërguar të Allahut para teje.

[15] Fjala e Allahut në këtë rast është premtimi që Allahu i dha Muhamedit dhe të dërguarve para tij, se ata do të triumfojnë mbi përgënjeshtruesit dhe kundërshtarët e tyre, dhe askush nuk mund ta ndryshojë premtimin dhe Fjalën e Allahut.

[16] T’i ka shpallur Allahu në Kuran, dhe ti je njohur me historitë e tyre dhe të popujve të tyre, se si ka qenë përfundimi i përgënjeshtruesve dhe si kanë triumfuar të dërguarit e Allahut dhe ndjekësit e tyre. Prandaj, mos u mërzit dhe mos u brengos, o Muhamed, sepse premtimi i Allahut për ty është njësoj si ka qenë edhe për të dërguarit e mëparshëm, dhe në fund do të triumfojë e mira që ti bart dhe në të cilën ti i fton njerëzit.

[17] Për të vërtetuar fjalën dhe profetësinë tënde, o Muhamed –por ti kurrësesi nuk mundesh ta bësh këtë, kështu që duro dhe mos u trishto nga përgënjeshtrimi dhe refuzimi që ata të bëjnë ty.

[18] Të cilët nuk i dinë dhe nuk i kuptojnë të vërtetat e gjërave dhe nuk i vendosin ato në vendin e vet. I Gjithë trishtimi i Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vinte si rezultat i mëshirës që ai kishte për popullin e vet, sepse ai e dinte se me përgënjeshtrimin që ata i bënin atij, përgënjeshtronin Allahun dhe si rezultat do të dënoheshin në zjarrin e xhehenemit, dhe kjo e brengoste atë sepse kishte zemër të butë dhe të ndjeshme, por megjithatë, Allahu i tërhoqi vërejtjen atij duke i thënë se ai nuk mund të bëjë asgjë për udhëzimin e tyre, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë, kurse ai duhet të bënte detyrën e tij si i Dërguar i Allahut dhe të ndiqte udhëzimet e Allahut. Pa dyshim, se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) bëri atë që i urdhëroi Allahu dhe e përmbushi misionin e tij në mënyrën më të mirë dhe më të plotë, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e mëshirshëm e zemërbutë!

-131-


  1. Vetëm ata që dëgjojnë vërtet (me zemër) do të të përgjigjen[1]. Kurse sa për të vdekurit, Allahu do t’i ringjallë ata, pastaj të gjithë do të kthehen tek Ai.[2]
  2. Ata thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë mrekulli[3] nga Zoti i tij?” Thuaj: “Allahu është i Fuqishëm të zbresë mrekulli, por shumica e tyre nuk e dinë”.[4]
  3. Të gjitha kafshët në Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me dy krahët e tyre, janë bashkësi të ngjashme me ju.[5] Ne nuk kemi lënë asgjë pa e shënuar në Libër[6]. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.[7]
  4. Ata që i mohojnë provat Tona janë shurdhë e memecë[8], në errësirat e plota[9]. Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.[10]
  5. Thuaju: “Nëse jeni të sinqertë, më thoni: nëse ju vjen dënimi i Allahut[11] ose ju vjen Ora e Kiametit[12], a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër, përveç Allahut?![13]
  6. Përkundrazi! Ju do të thërrisnit vetëm Atë![14] E nëse do të donte, Ai do t’ju shpëtonte nga ajo për të cilën e thërrisnit dhe ju do t’i harronit idhujt që ia shoqëronit Atij (në adhurim).[15]
  7. Ne iu kemi dërguar të dërguar edhe popujve të tjerë para teje dhe i kemi dënuar ata (popujt) me skamje dhe fatkeqësi,[16] që të bëheshin të përulur (para Allahut).[17]
  8. Veç sikur të ishin përulur kur u erdhi ndëshkimi Ynë![18] Por zemrat e tyre u bënë gur, dhe djalli ua zbukuroi veprat që bënin.[19]
  9. Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm atyre dyert e çdo gjëje.[20] Por, sapo u gëzuan me atë që iu dha, Ne i befasuam me dënimim Tonë dhe ata u zhytën në dëshpërim.[21]

[1] Vetëm ata që Allahu do i hapë zemrat për ta dëgjuar të vërtetën, do i përgjigjen thirrjes tënde, o Muhamed.

[2] Mund të jenë për qëllim njerëzit me zemër të vdekur, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me zemër të hapur, dhe kështu që në realitet ata janë të vdekur sepse nuk besojnë, dhe ditën e Gjykimit, Allahu do i ringjallë ata dhe do i japë dënimin e merituar. Ose është për qëllim kuptimi i drejtpërdrejtë, që Allahu do i ringjallë të gjithë të vdekurit në ditën e Gjykimit dhe secilit do i japë atë që meriton.

[3] Mrekulli që i prodhonte mendja e tyre me qëllim të talljes, se përndryshe mrekullitë dhe provat e Allahut ata i shihnin qartë te shpallja e Allahut dhe i Dërguari i Tij.

[4] Nuk e dinë se çfarë i pret ata nëse e shohin mrekullinë pastaj e mohojnë atë. Kështu ka ndodhur me popujt e mëparshëm: kur kërkonin një mrekulli nga i dërguari i tyre dhe më pas e përgënjeshtronin dhe e përbuznin atë, atyre iu vinte dënimi shfarosës, dhe shembujt për këtë në Kuran janë të shumta.

[5] Të ngjashme në krijim, në inspirimin për të jetuar dhe për t’u shumuar, në sjellje dhe njohje brenda të njëjtës bashkësi, e ngjashmëri të tjera shumicën e të cilave ne nuk i dimë ende. Të gjitha krijesave Allahu ua regjistron edhe punët që bëjnë në dynja, edhe kafshëve e shpendëve, e jo më njeriut! Kështu që, të gjitha krijesat do të kthehen tek Allahun dhe do të japin llogari për veprat e tyre në dynja, madje edhe kafshët do të ringjallen dhe do të marrin hak për padrejtësitë që i kanë bërë njëra-tjetrës në dynja.

[6] Allahu nuk ka neglizhuar dhe nuk ka lënë asgjë të vogël apo të madhe, veçse e ka shënuar në Pllakën e Ruajtur mirë tek Ai, apo në Librin Nënë (El Leuhu el Mahfudh, apo Ummul Kitab), që para se të krijonte qiejtë dhe Tokën me 50 mijë vjet, siç ka ardhur në disa transmetime profetike. Thuhet gjithashtu se me këtë Libër mund të jetë për qëllim Kurani, në të cilin Allahu ka përfshirë gjithçka të nevojshme për njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe kuptimi në këtë rast është i njëjtë me një ajet tjetër ku thuhet: “Ne të kemi shpallur ty (o Muhamed) Librin, për të qenë sqarues për gjithçka.” [En Nahl, 89]. – Ky ajet është argument se Libri i Parë ka përfshirë gjithçka ka krijuar Allahu deri në Ditën e Kiametit, dhe kjo është një prej kategorive të besimit në Caktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, i cili ka katër kategori: 1. Besimi se dija e Allahut është gjithëpërfshirëse, 2. Libri i Allahut ka përfshirë gjithçka që ekziston, 3. Vullneti dhe Fuqia e Allahut ka përfshirë gjithçka, 4. Ai ka krijuar të gjitha krijesat, madje edhe veprat e njerëzve. [Es Seadi].

[7] Në ditën e madhe të Gjykimit dhe të Llogarisë, ku secila krijesë dhe secili individ, do të marrë shpërblimin apo dënimin që meriton. Njeriu do të japë llogari dhe më pas do të jetojë përgjithmonë në xhenet (parajsë), ose do të dënohet përjetësisht në xhehenem (ferr), kurse kafshët, pas dhënies së llogarisë dhe marrjes së hakut nga njëra-tjetra apo nga njerëzit që i kanë torturuar, do të kthehen në pluhur, prandaj edhe mohuesit që janë dënuar me zjarr të përjetshëm, atë ditë do të thonë: “Ah, sikur të bëhesha pluhur!” [En Nebe, 40]. Pra, o mohues dhe përgënjeshtrues të ringjalljes dhe botës tjetër, ju nuk keni ku të shkoni dhe për ju nuk do të ketë justifikim dhe as ndihmues në atë ditë, prandaj kthehuni tek Allahu me pendim dhe besim të sinqertë para se të jetë tepër vonë dhe para se pendimi të mos ju bëjë më asnjë dobi!

[8] Nuk e dëgjojnë të vërtetën me zemrën e tyre dhe nuk e thonë atë me gjuhët e tyre.

[9] Në errësirat e mosbesimit dhe injorancës, të kryeneçësisë dhe mëkateve. Ata nuk i shohin provat dhe shenjat e Allahut që të merrnin mësim prej tyre, megjithëse e dinë se Ai që i krijoi dhe i inspiroi të jetojnë, Ai që u dha fuqi dhe mendje, nuk mund t’i ketë krijuar pa asnjë qëllim apo t’i ketë lënë pa ndonjë ngarkim e detyrë. Allahu nuk ia ka dhënë të gjitha këto njeriut vetëm që si e si t’i përdorë ato në bindje ndaj Allahut, dhe duke iu larguar ndalesave të Tij dhe atyre që Ai urren.

[10] Vetëm Allahu e ka në Dorë udhëzimin në rrugë të drejtë apo humbjen nga rruga e drejtë në errësirat e mosbesimit dhe idhujtarisë, sipas Bujarisë dhe Urtësisë së Tij absolute.

[11] Ashtu si u erdhi popujve të tjerë para jush, siç ndodhi me popullin e Nuhit, Lutit, Salihut, etj., të cilët i mohuan provat e Allahut dhe i përgënjeshtruan të Dërguarit e Tij, dhe kështu ata u shfarosën me tufan, zë të fortë, furtunë dhe erë të furishme, etj.

[12] Kur të ringjalleni dhe të dilni para Allahut në ditën e madhe të llogarisë.

[13] Padyshim se ata nuk do të kishin përgjigje për këtë pyetje, se përndryshe duhet ta pohonin se askënd përveç Allahut nuk mund të thërrisnin për ndihmë, sepse ata e dinë se zotat e tyre dhe asgjë tjetër nuk mund t’i shpëtojë ata nga dënimi i Allahut.

[14] Do të thërrisnit vetëm Zotin tuaj që ju ka krijuar dhe vetëm Atij do i kërkonit ndihmë dhe shpëtim.

[15] Atëherë përse nuk i braktisni idhujt tuaj dhe t’i luteni një Zoti të Vetëm e të Vërtetë sa jeni ende në kohë dhe para se të jetë tepër vonë?!

[16] Për shkak se ata i përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut tek ata.

[17] Kështu që merrni mësim, o ju idhujtarë e përgënjeshtrues të provave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që të mos përfundoni si ata.

[18] Sikur popujt përgënjeshtrues e idhujtarë të ishin përulur para Allahut, t’i ktheheshin Atij me pendim dhe t’i bindeshin Atij, padyshim se Ai do e ngrinte dënimin prej tyre dhe do i mëshironte ata.

[19] Ata vazhduan me kryeneçësi në përgënjeshtrimin e të dërguarve të Allahut dhe e përçmuan dënimin e Allahut si rezultat i ngurësimit të zemrave të tyre, dhe shejtani ua zbukuronte veprat e tyre të këqia për t’i çuar ata në humbjen e sigurtë dhe për t’i nxjerrë nga mëshira e Allahut, për t’i pasur shokë të vet në zjarrin e xhehenemit.

[20] Kur popujt e mëparshëm i lanë mënjanë këshillat dhe paralajmërimet e të dërguarve të Allahut, Allahu ua hapi atyre dyert e dynjasë që ua kishte mbyllur më parë, dhe u dha nga të gjitha të mirat, duke i tërhequr kështu drejt një kurthi.

[21] Mbetën pa asnjë shpresë, dhe ky lloj dënimi është më i dhembshmi: ndërsa ata janë në kulmin e kënaqësisë, sigurisë e pavëmendshmërisë, t’iu vijë dënimi befasisht dhe t’iu prishë çdo kënaqësi e çdo të mirë që gëzonin. Pra, të mirat e dynjasë që ju erdhën atyre ishte e gjitha një kurth!

-132-


  1. Dhe kështu, fara e popullit që bëri padrejtësi u zhduk[1]; lavdërimi qoftë i Allahut, Zotit të gjithësisë.[2]
  2. Thuaju: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat[3], atëherë cili zot tjetër përveç Allahut, do t’jua kthente ato?!” Shih si u sjellim vazhdimisht prova të ndryshme, kurse ata përsëri kthejnë shpinën.[4]
  3. Thuaju: “Më thoni, nëse dënimi i Allahut ju vjen befasisht ose dukshëm[5], a do të zhdukej tjetërkush përveç popullit të padrejtë?”[6]
  4. Ne nuk i dërgojmë të dërguarit ndryshe, veçse si përgëzues dhe paralajmërues.[7] Kushdo që i beson ata (të dërguarit) dhe vepron mirë, nuk do të ketë frikë e as nuk do të pikëllohet.[8]
  5. Kurse ata që i mohuan provat tona[9], do t’i godasë dënimi për shkak se përgënjeshtronin.
  6. Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të fshehtën, dhe as nuk ju them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet (nga Allahu)”.[10] Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh? A nuk mendoni?”[11]
  7. Paralajmëro me të (Kuranin) ata që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre[12], ku nuk do të kenë ndihmues tjetër përveç Tij[13] dhe as ndërmjetës[14], në mënyrë që të bëhen të devotshëm.[15]
  8. Dhe mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet mëngjes e mbrëmje,[16] duke pasur për qëllim vetëm Fytyrën e Tij![17] Ti nuk do të japësh llogari për ta dhe as ata nuk do të japin llogari për ty.[18] Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të bëhesh prej të padrejtëve.[19]

[1] U zhduk fara e atij populli që kundërshtoi Zotin e vet dhe përgënjeshtroi të dërguarit e Tij.

[2] Për mirësinë që i ka dhënë të dërguarve të Tij dhe besimtarëve që i binden Atij, duke bërë që fjalët dhe provat e tyre të triumfojnë mbi ato të kundërshtarëve të tyre prej mohuesve dhe idhujtarëve, dhe që të dalin paralajmërimet që ata i bënë mohuesve dhe përgënjeshtruesve të Allahut dhe të dërguarve të Tij: se dënimi i Allahut do t’u vijë atyre së shpejti në dynja, kurse në botën tjetër do të kenë dënim edhe më të rëndë.

[3] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve përgënjeshtrues të Allahut dhe të profetësisë tënde: nëse Allahu jua merr dëgjimin dhe shikimin, dhe jua vulos zemrat, në mënyrë që të mos e dëgjoni, të mos e shihni dhe të mos e kuptoni të vërtetën, atëherë kush do të mund t’jua kthente ato përveç Allahut, Zotit tuaj të vetëm? Atëherë si mundeni që t’i bëni shok Atij e të adhuroni idhuj e zota të trilluar nga vetë ju, e që nuk mund t’ju sjellin asnjë të mirë apo tju largojnë ndonjë të keqe?!

[4] Megjithëse Allahu sjell gjithnjë prova dhe shenja të llojeve të ndryshme, me qëllim që të sqarohet plotësisht e vërteta dhe të mos mbetet asnjë dyshim rreth saj, përgënjeshtruesit dhe mohuesit vazhdimisht largohen nga e vërteta dhe i kthejnë shpinën provave të Allahut. Atëherë, nëse ata nuk kthehen nga rruga e gabuar, a nuk e meritojnë dënimin e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër?

[5] Me shenja paraprake të paralajmëruara, të cilat janë të dukshme dhe ata mund t’i shohin me sytë e tyre.

[6] Atyre që u bënë shkak për zbritjen e atij dënimi me padrejtësinë dhe kryeneçësinë e tyre. Prandaj, kini kujdes nga qëndrimi në padrejtësi, sepse kjo gjë të sjell shkatërrim të përjetshëm dhe vuajtje të përhershme.

[7] Përgëzues të besimtarëve me xhenet dhe fitore në ditën e Gjykimit, si shpërblim i bindjes së tyre ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe veprave të tyre të mira në dynja, dhe paralajmërues të mosbesimtarëve, përgënjeshtruesve dhe keqbërësve me dënim të dhembshëm dhe të përhershëm në botën tjetër. Pra, çdo gjë është e qartë dhe për askënd nuk ka justifikim tek Allahu.

[8] Nuk do të kenë frikë nga tmerret e ditës së Kiametit dhe nga dënimi i Allahut, për shkak se iu bindën Allahut në dynja dhe ndoqën udhëzimin dhe rrugën e Tij, dhe nuk do të pikëllohen për atë që kanë lënë mbrapa në dynja.

[9] Shpalljet, provat, shenjat, të dërguarit.

[10] Allahu e urdhëron Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që t’u thotë përgënjeshtruesve të provave të Allahut dhe të profetësisë së tij, se Ai është thjesht njeri, i veçuar nga Allahu me profetësinë dhe shpalljen e Allahut, dhe se ai nuk i ka në dorë çelësat e thesareve dhe të mëshirës së Allahut, as nuk e di të fshehtën, sepse është vetëm Allahu Ai që di gjithçka të dukshme e të padukshme, të shkuar, të tashme e të ardhme, dhe Allahu është Ai që i jep kujt të dojë prej njerëzve dhe i ndalon kujt të dojë; as nuk jam engjëll, përndryshe nuk do të më shihnit, sepse njerëzit nuk mund t’i shohin engjëjt ne dynja, kështu që përse më përgënjeshtroni, kur unë nuk ju them asgjë që s’jam, por vetëm atë që jam dhe me të cilën më ka veçuar Allahu: profetësinë.

[11] A mund të barazohet i verbri, ai që nuk e dallon të vërtetën dhe e mohon atë, ai që është i verbër përballë provave të Allahut dhe nuk i ndjek ato, me atë që sheh, me besimtarin që e dallon të vërtetën dhe i sheh qartë provat e Allahut, i beson e i ndjek ato, ndriçohet me dritën e tyre? –A nuk mendoni pak, o ju mohues dhe përgënjeshtrues, për ato prova që ju i mohoni, dhe për këto shembuj e fakte që ju sqarohen, në mënyrë që ta mësoni dhe ta shihni qartë se ajo që ju them është e vërtetë dhe nuk mund të barazohet me atë që bëni ju prej idhujtarisë dhe shoqërimit të idhujve Zotit tuaj të vërtetë, dhe t’a lini mohimin dhe idhujtarinë në të cilën ndodheni, e të ndiqni besimin e vërtetë në të cilin ju ftoj dhe ju thërras, dhe me të cilin ju shpëtoni dhe fitoni, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[12] Ata që e besojnë tubimin para Zotit dhe dhënien llogari për veprat e tyre në dynja, por që kanë frikë nga gjynahet që mund të kenë bërë në dynja, për të cilat mund të ndëshkohen.

[13] Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

[14] Që të ndërmjetësojë tek Allahu për ta, që të mos dënohen për të këqiat që kanë bërë.

[15] T’i ruhen gjynaheve dhe ndalesave të Allahut që t’i shpëtojnë dënimit dhe zemërimit të Tij.

[16] Ata që adhurojnë Zotin e tyre me sinqeritet, që luten mëngjes e mbrëmje, që kryejnë namazet e detyrueshme dhe vullnetare të ditës dhe të natës ashtu si ka urdhëruar Allahu dhe si ka mësuar i Dërguari i Allahut. Shkaku i zbritjes së këtij ajeti ishte se paria idhujtare e Mekës i tha të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) që t’i largonte besimtarët e varfër e të dobët nga tubimet e tij, dhe vetëm atëherë ata do të prezentonin në ato tubime dhe do të dëgjonin prej tij.

[17] Me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij dhe shpërblimin e Tij në botën tjetër, pa i shoqëruar Atij askënd dhe asgjë, dhe pa dyftyrësi apo hipokrizi. Këta janë besimtarët e vërtetë, e si mund t’i largosh këta për të afruar kryeneçët mohues e idhujtarë që e mbajnë veten për të lartë për shkak të pasurisë apo postit të tyre? Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij që të bëjë kujdes në këtë pikë dhe të mos i përgjigjet kërkesës së padrejtë të parisë Mekase, megjithëse ai lakmonte në udhëzimin e tyre në Islam me qëllim që muslimanët të forcoheshin dhe kështu do e përhapnin atë më lehtë tek të tjerët; por i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), iu bind Zotit të tij dhe i afroi edhe më shumë besimtarët e vobektë në veçanti dhe i mbronte ata.

[18] Secili do të japë llogari për vete dhe për veprat e veta të mira apo të këqia, dhe askush nuk do të japë llogari për tjetrin dhe për veprat e tjetrit, përndryshe kjo do të ishte e padrejtë, kurse Allahu është më i Drejti që nuk bën as padrejtësinë më të vogël. Kështu që ti, o Muhamed, nuk ke pse të shqetësohesh për udhëzimin apo jo të idhujtarëve kurashit, sepse udhëzimi është në Dorë të Allahut, përhapja e fesë së Allahut është gjithashtu në Dorë të Allahut dhe secili njeri do të japë llogarinë e vetë para Allahut, prandaj ti thjesht kryej misionin tënd si i Dërguar i Allahut dhe komunikoje Fjalën e Allahut tek ata që të dëgjojnë dhe që besojnë, sepse vetëm ata përfitojnë prej saj, kurse për mohuesit është njësoj, si ta dëgjojnë Fjalën e Allahut dhe provat e Tij apo të mos i dëgjojnë ato.

[19] Por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), nuk mund të bëhej i padrejtë assesi, sepse jo më kot Allahu e kishte zgjedhur atë për të qenë vula e profetëve dhe më i miri prej të gjithë bijve të Ademit pa përjashtim.

-133-


  1. Kështu, Ne i kemi bërë ata sprovë për njëri-tjetrin,[1] që të thonë: “Vallë, në mesin tonë, këta janë ata që Allahu u ka dhuruar mirësi (Islamin)?!”[2] – Por, a nuk është Allahu Ai që i njeh më mirë ata që janë falënderues të Tij?[3]
  2. Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona[4], thuaju: “Paqja qoftë mbi ju! Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën;[5] nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe në injorancë,[6] e më pas pendohet e përmirësohet, pa dyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[7]
  3. Kështu i sqarojmë Ne provat, në mënyrë që të qartësohet rruga e keqbërësve.[8]
  4. Thuaj: “Mua më është ndaluar t’i adhuroj ato që ju i adhuroni në vend të Allahut”[9]. Thuaj: “Unë nuk ndjek dëshirat tuaja të kota, përndryshe do të isha i humbur dhe nuk do të isha prej të udhëzuarve”.[10]
  5. Thuaj: “Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për Zotin tim,[11] kurse ju e përgënjeshtruat Atë.[12] E sa për atë që ju kërkoni t’ju vijë sa më shpejt (dënimin e Allahut), kjo gjë nuk është në dorën time.[13] Vendimi i takon vetëm Allahut. Ai e thotë prerë të vërtetën dhe Ai është Gjykuesi më i mirë”.[14]
  6. Thuaj: “Sikur ta kisha në dorë atë që ju kërkoni me ngut, çështja midis meje dhe jush do të kishte marrë fund tashmë, por Allahu i di më së miri të padrejtët.[15]
  7. Vetëm Ai i ka çelësat e së fshehtës dhe askush nuk i di ato përveç Atij.[16] Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, asgjë e njomë apo e thatë[17], që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (el Leuhi el Mahfudh).[18]

[1] I kemi bërë njerëzit sprovë për njëri-tjetrin, duke i bërë disa të pasur e disa të varfër, disa fisnikë të lartë e disa të shtresës së ulët; e kështu, nëse Allahu i jep mirësinë e besimit një të varfëri apo dikujt prej shtresës së ulët, kjo do të ishte sprovë e rëndë për të pasurin dhe fisnikun; nëse qëllimi i këtyre të fundit është njohja e të vërtetës dhe ndjekja e saj, ata do të besojnë dhe do t’i nënshtrohen Allahut, dhe nuk do e pengonte aspak prezenca e njerëzve që janë shtresë më e ulët se ai në pasuri apo fisnikëri e autoritet, kurse në të kundërt, nëse nuk është i sinqertë në kërkimin e të vërtetës, prezenca e kësaj shtrese do i bëhej pengesë atij nga ndjekja e të vërtetës.

[2] Kjo është fjalë e shtresës së lartë për shtresën e ulët, në shenjë përçmimi dhe tallje me ta dhe me Islamin.

[3] Allahu e di më mirë se çdokush tjetër se kush është mirënjohës ndaj Tij për mirësitë që i ka dhënë, i pohon ato mirësi dhe falënderon Dhuruesin e tyre me fjalë e me vepra të mira siç i takon Atij, dhe Ai e di se kush nuk është mirënjohës ndaj Tij për të mirat që i ka dhënë; kështu që Allahu nuk e vendos mirësinë e Tij më të madhe, e që është udhëzimi në besimin e pastër Islam, tek ata që nuk e meritojnë atë. Kurse ata që e mbajnë veten për të lartë dhe që nuk përulen para Allahut, Dhuruesit të çdo të mire, le të vazhdojnë me kryeneçsinë dhe talljen e tyre, se do ta shohin përfundimin e secilit dhe se kush do të qesh i fundit.

[4] Kur vjen një besimtar dhe të pyet nëse ka pendim për të dhe a mund t’i falet një gjynah që ka bërë.

[5] Allahu është i Gjithëmëshrishëm dhe mëshirën për krijesat e veta ia ka bërë detyrim Vetes së Tij, e Ai është Falës i madh i gjynaheve dhe Pranues i pendimit të atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai me sinqeritet.

[6] Kushdo që bën gjynah, e bën atë në injorancë, d.m.th. në çastin që e bën atë, ai është në injorancë; injoron shëmtinë e veprës, mbikqyrjen e Allahut, dënimin për atë gjynah të caktuar, pasojat e këqia të tij, etj. Ai do të vazhdojë të jetë në injorancë deri sat ë pendohet sinqerisht për atë gjynah të caktuar, t’i kërkojë Allahut falje për të, të vendosë se nuk do t’i kthehet më atij gjynahu dhe të shtojë sa më shumë veprat e mira.

[7] Padyshim se Allahu e pranon pendimin e besimtarëve kur ata pendohen për një gjynah që bëjnë dhe derdh mbi ta faljen dhe mëshirën e Tij, në varësi të asaj që ata kryejnë prej urdhrave të Tij.

[8] Allahu i zbret shpalljet e Tij dhe i sqaron provat dhe argumentet e Tij të njëpasnjëshme, që nga fillimi i kësaj sure e deri në këtë ajet, madje në të gjithë Kuranin, me qëllim që të sqarojë të vërtetën nga e pavërtetë, të drejtën nga e shtrembërta, të mirën nga e keqa, besimin nga mosbesimi, të mirët nga të këqinjtë, rrugën e mirë nga rruga e keqe; dhe kështu: ai që udhëzohet në Islam, udhëzohet me vetëdije dhe me zgjedhjen e vet të rrugës së drejtë, kurse ai që i kthen shpinën Islamit, ai e bën këtë me vetëdije dhe me zjedhjen e tij të lirë rrugën e keqe; sepse tashmë të dyja rrugët janë të qarta para njeriut, dhe ai është i lirë të zgjedh rrugën që dëshiron, duke e ditur mirë se ku të çon secila rrugë.

[9] I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhërohet që t’u thotë idhujtarëve të Mekes, të cilët e ftuan atë që të aprovonte fenë e tyre dhe adhurimin e idhujve: “Allahu më ka ndaluar nga adhurimi i atyre që adhuroni ju dhe unë nuk ju ndjek kurrë në kërkesën tuaj dhe as nuk e aprovoj atë që ju bëni.” E si mund ta aprovonte i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) fenë e idhujtarëve kur misioni i tij parësor ishte pikërisht luftimi i idhujtarisë dhe thirrja e njerëzve në besimin e vërtetë dhe adhurimin e Një Zoti të Vetëm.

[10] Nëse do i ndiqja dëshirat tuaja të kota e të palogjikshme, do të isha i humbur në rrugë të shtrembër ashtu siç jeni ju tani, ndërkohë që unë jam i udhëzuar në rrugën e drejtë e të vërtetë, për të cilën dëshmojnë të gjitha faktet e padiskutueshme dhe provat e qarta e të prera.

[11] I bindur plotësisht me prova të padiskutueshme se Allahu është Një Zot i vetëm që meriton të adhurohet dhe se çdo gjë tjetër që ju adhuroni përveç Tij nuk është veçse idhull i trilluar nga vetë ju, dhe që nuk mban dot vetveten e si mund të jetë zot që krijon, apo që ju sjell dëm apo dobi?!

[12] E mohuat Zotin tuaj dhe i shoqëruat shok Atij në adhurim, e nuk ka vepër më të palogjikshme dhe padrejtësi më të madhe se kjo që ju bëni; sepse Ai që ju krijon, që ju mban gjallë e që ju furnizon me pasuri e fëmijë, që ju jep shikimin e dëgjimin, e çdo të mirë që ju posedoni, Ai është vetëm Allahu, Një Zot i vetëm, kurse ju në vend që ta falënderoni Atë për dhuntitë që ju ka dhënë, dhe të adhuroni e madhëroni vetëm Atë, ju shkoni e i bëni shok Atij dhe i adhuroni ato në vend të Allahut apo përkrah Tij; a ka padrejtësi më të madhe se kjo?

[13] Idhujtarët kurashit kërkuan nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që t’u sjellë atyre dënimin e Allahut, në qoftë se është me të vërtetë i Dërguari i Tij; e nëse i Dërguari do i kërkonte Allahut që ta sillte dënimin e Tij mbi ta, çështja e tyre do të kishte marrë fund dhe ata do të ishin shuar njësoj si popujt e mëparshëm, por ai i duroi talljet dhe përçmimet e tyre sepse lakmonte të mirën për ta, lakmonte udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë, sepse vetëm kështu ai e quante të suksesshëm misionin e tij, dhe jo duke ju sjellë dënimin atyre, i cili gjithësesi nuk ishte në dorë të tij, sepse ai ishte thjesht njeri dhe nuk kishte fuqi të mbinatyrshme, por gjithçka kishte ai ishte zgjedhja që Allahu i kishte bërë për të qenë Lajmëtari i Tij në tokë, dhe vetë ai kishte në dorë lutjen dhe kërkimin nga Allahu që t’i sillte atë që ai donte.

[14] Allahu e ndan të vërtetën nga e pavërteta dhe Ai gjykon drejtë mes meje dhe mes jush, dhe gjykimi i Tij është i drejtë e nuk mund të korruptohet.

[15] Zbritja e dënimit është në dorë të Allahut dhe Ai e di më së miri kohën e zbritjes së dënimit të Tij dhe se mbi cilët të padrejtë do e zbresë atë, e Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti; ndoshta në mesin tuaj, ka ndonjë që do të pendohet dhe do të kthehet në rrugën e drejtë, madje ndoshta shumica prej jush do të udhëzohet në Islam së shpejti, e këtë e di vetëm Allahu. Dhe vërtet ashtu ndodhi, shumë prej atyre idhujtarëve që e luftonin më së shumti të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët, pranuan Islamin, dhe i gjithë populli më pas hyri në Islam, e nëse do u kishte zbritur dënimi i Allahut, ai popull do të ishte shuar. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshmi, i Urti. Të padrejtët janë ata që adhurimin e tyre ia dedikojnë dikujt tjetër përveç Allahut, ndërkohë që adhurimi nuk i përket veçse Allahut, Zotit të tyre dhe të gjithçkaje që ekziston.

[16] Vetëm Allahu e di të fshehtën, vetëm Ai e di të ardhmen, të dukshmen e të padukshmen, gjithçka të vogël apo të madhe, dhe vetëm Ai e di se kur dhe mbi kë e zbret dënimin e Tij; ajeti është vazhdim i përgjigjes së të Dërguarit për idhujtarët që i kërkuan t’u zbriste dënimin e Allahut.

[17] Gjithçka që ekziston, në det apo në Tokë, në Tokë apo në qiell, që ekziston apo që nuk ka ardhur ende në ekzistencë; Allahu i di që të gjitha në hollësi dhe në detaje, dhe gjithçka e ka shënuar në Librin e qartë, El Leuhu el Mahfudh, që gjendet tek Ai.

[18] Libri në të cilin Allahu ka shkruar gjithçka për gjithçka në detaje; në sasi, përmasë, gjendje, vend e kohë; gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në fund, deri në ditën e Kiametit. I Madhëruar qoftë Allahu, dija e të Cilit ka përfshirë gjithçka, dhe Libri i të Cilit ka ruajtur çdo gjë për të qenë provë në Ditën e Gjykimit dhe për të vërtetuar se dija e Allahut është e pakufishme, e Allahu e di më mirë se çfarë ka tjetër për qëllim me shënimin e gjithçkaje në këtë Libër (El Leuhu el Mahfudh).

-134-


  1. Ai jua merr shpirtrat natën (ju vë në gjumë), duke e ditur ç’keni bërë ditën[1], pastaj ju zgjon ditën, e kështu deri sa të plotësoni afatin tuaj të caktuar (të vdisni). Pastaj, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju tregojë gjithçka që keni bërë (në dynja).[2]
  2. Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet.[3] Ai dërgon roje (engjëj) për secilin prej jush,[4] dhe kur ndonjërit nga ju t’i vijë vdekja, të dërguarit tanë (engjëlli i vdekjes dhe ndihmuesit e tij) ia marrin shpirtin, duke mos neglizhuar aspak.[5]
  3. Pastaj do të kthehen të gjithë tek Allahu, Zoti tyre i vërtetë.[6] Vetëm Atij i takon gjykimi dhe Ai është më i Shpejti në llogari.[7]
  4. Thuaju[8]: “Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur ju i luteni Atij (Allahut) të përulur (haptazi) ose fshehurazi (duke thënë): “Nëse Ai na shpëton prej kësaj (rrezikut), patjetër që do të bëhemi prej falënderuesve”.[9]
  5. Thuaju: “Allahu ju shpëton nga kjo dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij”.[10]
  6. Thuaju: “Ai (Allahu) ka fuqi t’ju zbresë dënim prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vriteni nga duart e njëri-tjetrit.” Shih si u sjellim vazhdimisht prova të ndryshme, në mënyrë që ata të kuptojnë![11]
  7. Kombi yt[12] (o Muhamed) e përgënjeshtroi atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaju: “Unë nuk jam roja juaj.[13]
  8. Çdo profetësi ka kohën e vet të përmbushjes dhe ju do ta merrni vesh.”[14]
  9. Kur t’i shohësh ata që sulmojnë (me tallje) shpalljet Tona[15], largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër![16] E, nëse djalli të bën të harrosh[17], sapo të përmendesh, mos qëndro më me njerëzit e padrejtë![18]

[1] Duke e ditur se çfarë gjynahesh keni bërë gjatë ditës, e megjithatë jua kthen shpirtin dhe ju zgjon përsëri të nesërmen, e kështu deri sa të plotësohet afati i jetës tuaj në dynja dhe t’ju vijë vdekja. Gjumi i natës është provë e qartë për mohuesit e ringjalljes, se Allahu e ka shumë të lehtë ringjalljen pas vdekjes, njësoj si zgjimi pas gjumit, sepse në të dyja rastet shpirti del nga trupi dhe kthehet përsëri në të, e këtë gjë e bën vetëm Allahu i Plotfuqishëm e askush tjetër përveç Tij. Atëherë si e mohoni ringjalljen pas vdekjes, kur ju çdo ditë ringjalleni pas vdekjes në gjumin e natës!

[2] Pas vdekjes së njeriut në këtë botë, ai nuk mund të zhduket përfundimisht, sepse asgjë që ekziston nuk mund të zhduket nga ekzistenca, kjo sipas ligjeve materiale të përcaktuara nga Allahu në këtë botë, dhe që shkenca moderne i ka aprovuar, por njeriu do të kthehet tek Krijuesi i tij, pas ringjalljes që Allahu do i bëjë të gjithë njerëzve në ditën e Gjykimit, dhe atje secili do të marrë shpërblimin apo dënimin për veprat që ka bërë në dynja.

[3] Allahu është Sunduesi, nënshtruesi, gjunjëzuesi i të gjitha krijesave të Tij, dhe Ai është mbi ta në të gjitha pikëpamjet, kurse krijesat nuk kanë asgjë në dorë, madje ato nuk mund të lëvizin dhe as të qëndrojnë veçse me lejen e Tij.

[4] Allahu i dërgon engjëj ruajtës dhe shkrues të veprave çdo njeriu. Këta engjëj i ruajnë me shkrim të gjitha veprat që bën njeriu, ditën apo natën, për të qenë provë e pamohueshme në ditën e Gjykimit, por njëkohësisht ata engjëj e ruajnë njeriun nga ndonjë aksident fizik material i mundshëm, deri sa të plotësohet afati i caktuar dhe të vijë exheli (vdekja) e caktuar nga Allahu për secilin njeri dhe për secilën krijesë. Janë dy engjëj ditën dhe dy të tjerë natën, njëri qëndron në të djathtë dhe shkruan veprat e mira, kurse tjetri në të majtë dhe shkruan veprat e këqia.

[5] Engjëlli i vdekjes bashkë me engjëjt ndihmues të tij, i marrin shpirtrat e njerëzve në kohën e caktuar nga Allahu për secilin prej tyre, dhe ata nuk bëjnë asnjë gabim apo neglizhim në punën që Allahu u ka ngarkuar atyre; as vonesën apo përshpejtimin më të vogël të afatit të caktuar nga Allahu për secilin njeri dhe për secilën krijesë.

[6] Pas vdekjes dhe jetës së varrit që zgjat deri në Ditën e Kiametit, të gjitha krijesat do të ringjallen tek Allahu, Zotëruesi i tyre i vërtetë, sepse ata nuk kanë zot tjetër përveç Allahut, megjithëse shumë prej tyre adhuronin të tjerë në vend të Allahut në dynja.

[7] Allahu është i Shpejtë në llogarinë e veprave të të gjitha krijesave të Tij, sepse Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti, më i Drejti dhe më i Shpejti në gjykim.

[8] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve të Mekes dhe të gjithë njerëzve.

[9] Kur njerëzit i kap një e keqe dhe kur e shohin veten ngushtë, të humbur në ndonjë vend të tokës apo në mes të detit, ata menjëherë i drejtohen Allahut që t’i shpëtojë, edhe ata që janë atesitë apo idhujtarë; në ato çaste i harrojnë idhujt e tyre sepse e dinë që nuk kanë asnjë lloj fuqie dhe nuk kanë asgjë në dorë, por instiktivisht zemrat e tyre i drejtohen Allahut, edhe ata që nuk e bëjnë me përulje dhe në publik këtë gjë, në të vërtetë e bëjnë fshehtazi nën zë dhe me zemrën e tyre. A nuk është kjo një provë e pamohueshme se Allahu është Zoti i Vetëm i të gjitha krijesave, dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet? Në çastet e vështirësisë, të gjithë ata zotohen se nëse Allahu i shpëton nga rreziku që i kanoset, ata do t’i jenë mirënjohës vetëm Atij dhe do të adhurojnë vetëm Atë. Por a i përmbahen zotimit të tyre?

[10] Askush nuk ju shpëton nga rreziku përveç Allahut, dhe ju e dini mirë këtë, por megjithatë, kur dilni nga rreziku, në vend që të falënderoni Allahun, ju e harroni Atë dhe ia dedikoni falënderimin dhe adhurimin zotave tuaj të rremë! A ka humbje më të madhe se kjo? A nuk e meritojnë dënimin e Allahut ata që veprojnë kështu?

[11] Allahu ka fuqi që t’u zbresë dënim nga qielli (si gurët, tufani, etj) ose nga Toka (si për shembull fundosja e tokës bashkë me ta, etj.), ose t’i përçajë dhe t’i fusë në grindje e në luftë me njëri-tjetrin ata që pasi i shpëton nga rreziku i tokës apo i detit, shkojnë e adhurojnë të tjerë përveç Allahut. Nga mëshira e Allahut, Ai e ka ngritur ndëshkimin nga qielli dhe nga toka për popullin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por ndëshkimin me përçarje mes njëri-tjetrit Ai ia ka zbritur një pjese prej tyre, si ndëshkim i shpejtë në këtë botë me qëllim që të marrin mësim ata që marrin mësim dhe për të treguar se ligjet e Tij zbatohen mbi të gjithë. Në një hadith të transmetuar nga Muslimi, e të tjerë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Allahu e mblodhi Tokën para meje dhe unë e pashë Lindjen dhe Perëndimin e saj, dhe më tregoi se pushteti i popullit tim do të arrijë aq sa pashë unë prej Tokës së mbledhur. M’u dhanë gjithashtu dy thesaret: i kuqi dhe i bardhi (ari dhe argjendi; thesaret e Kisras -mbretit të Persisë dhe të Kajsarit –mbretit të romakëve [dhe kështu ndodhi vërtet, dhe kjo është një prej profetësive të Muhamedit]. Unë i kërkova Zotit tim për ymetin tim: që të mos i shkatërrojë ata me thatësirë të jashtëzakonshme dhe të mos i rrëzojë ata nën pushtetin e armiqve të jashtëm shfarosës të tyre dhe të pushtetit të tyre. Zoti im më tha: “O Muhamed, kur unë vendos për diçka, vendimi Im nuk kthehet mbrapsht; e Unë po të jap për popullin tënd këto: që të mos e shkatërroj atë me thatësirë të përgjithshme, dhe të mos i vendos ata nën pushtetin e armiqve të jashtëm që i shfarosin ata dhe pushtetin e tyre, qoftë edhe nëse ata (armiqtë) bashkohen nga të gjitha anët e botës; përveç nëse populli yt do të vrasë njëri-tjetrin dhe do të robërojë njëri-tjetrin.” [Muslimi, 2889]. Këto janë profetësi të pamohueshme që vërtetojnë profetësinë e Muhamedit, dhe fakti që shumë vende të muslimanëve vuajnë nga pushtimi i huaj në ditët e sotme, nuk bie ndesh me hadithin, sepse hadithi ka përjashtuar pushtimin e plotë dhe rrënues, e jo pushtimin e pjesshëm, i cili gjithësesi ka ardhur si rrjedhojë e përçarjes së muslimanëve mes njëri-tjetrit.

[12] Është për qëllim fisi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) si dhe fiset e tjera të Mekës që ishin idhujtarë dhe përgënjeshtrues të Muhamedit, dhe jo ymeti-populli i tij, sepse ymeti i Muhamedit janë të gjithë besimtarët muslimanë në çdo kohë e vend, deri në ditën e Kiametit.

[13] Unë nuk jam mbikqyrës mbi ju dhe as rojë që ju detyron çfarë të bëni, por jam thjesht i Dërguar i Allahut dhe ju përcjell atë që më shpallet.

[14] Do ta merrni vesh të vërtetën e atyre që ju them dhe që më shpallen nga Allahu. E nuk ka dyshim se gjithçka që paralajmëroi i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), u përmbush dhe shumë paralajmërime e profetësi të tjera presin afatin e tyre të caktuar nga Allahu, dhe kur të ndodhë kjo, të gjithë do ta marrin vesh.

[15] Ata që flasin keq për Kuranin dhe që tallen me të.

[16] Në këtë ajet, Muhamedi dhe të gjithë besimtarët muslimanë urdhërohen që të mos qëndrojnë në atë tubim dhe ambjent ku përdhoset dhe flitet keq e me tallje për Kuranin apo për ndonjë çështje të Islamit, se përndryshe ata do të jenë të barabartë dhe të njëjtë me ta.

[17] Duke bërë që nga harresa dhe pakujdesia të qëndrosh në mesin e atyre që tallen me shpalljet dhe fenë e Allahut.

[18] Largohu menjëherë nga njerëzit e padrejtë, të cilët tallen me fenë e Allahut, ose që flasin apo veprojnë gjëra të ndaluara nga Allahu, përderisa ti nuk mundesh t’i ndalosh ata nga vepra apo fjala e tyre.

-135-


  1. E sa për ata që i frikësohen Allahut (dhe qëndrojnë me të padrejtët), s’kanë kurrfarë përgjegjësie për gjynahet e tyre, por t’i këshillojnë me qëllim që ata të ruhen.[1]
  2. Largohu nga ata që fenë e tyre e marrin për lojë e dëfrim,[2] dhe që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote.[3] Këshillo me të (Kuranin), me qëllim që të mos mbetet kush peng për shkak të veprave të veta[4], dhe atëherë, përveç Allahut, nuk do të ketë as ndihmues[5], as ndërmjetës,[6] madje edhe sikur të ofrojë çdo lloj shpagimi, nuk do t’i pranohet.[7] Këta janë ata që do të mbeten peng (në ferr) për shkak të veprave që kanë bërë (në dynja). Pija e tyre do të jetë uji i vluar dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm për shkak se ishin mohues.[8]
  3. Thuaju: “A të adhurojmë në vend të Allahut diçka që nuk na sjell as dobi, as dëm e të kthehemi mbrapa, pasi Allahu na udhëzoi,[9] duke u bërë si ai që mashtrohet nga djajtë dhe sillet i çoroditur nëpër botë,[10] ndonëse disa shokë (besimtarë) e thërrasin në rrugë të drejtë: “Eja tek ne”?!”[11] Thuaju: “Vetëm udhëzimi i Allahut është udhëzimi i drejtë.[12] Ne jemi urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve,[13]
  4. të falim namazin dhe ta kemi frikë Atë.[14] Dhe është Ai, tek i Cili do të tuboheni.[15]
  5. Është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi.[16] Ditën (e Kiametit) kur Ai të thotë “Bëhu”, ai do të bëhet.[17] Fjala e Tij është e Vërteta dhe Atij i përket pushteti Ditën kur fryhet në Sur.[18] Ai është i Gjithëdituri i së fshehtës dhe të dukshmes, më i Urti, Njohësi i gjithçkaje në hollësi.[19]

[1] Të ruhen nga tallja, të kenë frikë Allahun dhe të kthejnë rrugë. Ajeti është argument për lejimin e qëndrimit me mohuesit e mëkatarët, por me kusht që të jesh i devotshëm dhe t’i këshillosh e t’i ndalosh ata nga vepra e keqe, ose së paku të mundësosh reduktimin dhe pakësimin e së keqes, se ndoshta po udhëzohen e po kthehen nga rruga e keqe në rrugën e drejtë të besimit të pastër Islam. Në të kundërt, nëse nuk ndikon pozitivisht, apo nëse e keqja dhe tallja e tyre shtohet edhe më shumë me këshillën tënde, apo nëse ndikohesh prej tyre dhe bie në gjynahun që bëjnë ata, atëherë nuk lejohet të qëndrosh me ta, por duhet të ngrihesh e të largohesh prej tyre. Disa dijetarë të Tefsirit thonë se përbajtja e këtij ajeti është shfuqizuar më pas në Medine, nga ajeti 140, i sures En Nisa.

[2] Ata të cilët tallen me shpalljet dhe provat e Allahut prej idhutarëve të Mekes dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.

[3] Shumë prej dijetarëve të Tefsirit thonë se kjo pjesë e këtij ajeti është shfuqizuar kur i Dërguari i Allahut dhe muslimanët që ishin me të u urdhëruan t’i luftonin idhujtarët pasi që kjo iu ishte ndaluar në fillim të Islamit dhe deri kur muslimanët u fuqizuan në Medine; dhe atje, Allahu shpalli ajetin nr. 5, të sures “Et Teube”, ku thuhet: “Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Atëherë, besimtarëve iu lejua luftimi i armiqve të tyre idhujtarë e mohues, nën udhëheqjen e të Dërguarit të Allahut, dhe pas vdekjes së tij, nën udhëheqjen e prijësve të tyre, konform kushteve të caktuara në sheriatin Islam, e që mësohen në librat e jurisprudencës Islame (Fikhut). Bazat e këtyre ligjeve do i ndeshim në ajete të ndryshme të Kuranit, e veçanërisht në suret “El Enfal” dhe “Et Teube”.

[4] Që të mos ia dorëzojnë veten shkatërrimit,  duke mbetur peng i burgosur në zjarrin e xhehenemit për shkak të mosbesimit dhe veprave të këqia.

[5] Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

[6] Që të ndërmjetësojë tek Allahu për ta, që të mos dënohen për të këqiat që kanë bërë.

[7] Edhe sikur të zotëronte të gjithë botën me gjithë çka në të, dhe ta jepte me qëllim që të çlironte veten e tij nga dënimi i Allahut, nuk do të pranohej nga ai aspak, por do të dënohej për mosbesimin dhe veprat e tij të këqia në dynja gjithësesi.

[8] Për shkak se e mohuan Allahun në dynja, nuk e njësuan Atë si një Zot i Vetëm Fuqiplotë dhe adhuruan idhuj e zota të tjerë përveç Tij.

[9] E të kthehemi në idhujtari e mosbesim, pasi që Allahu na udhëzoi në besimin e drejtë Islam?! Me çfarë logjike na kërkoni, o idhujtarë, që të kthehemi mbrapa e të adhurojmë diçka që nuk na sjell as dobi, as dëm, madje dëmi i tyre është i paevitueshëm?!

[10] Si ai që joshet nga djajtë dhe ata e çojnë në rrugën e gabuar të humbjes dhe mosbesimit, e ai sillet i hutuar e i çoroditur nëpër botë, pa ndonjë qëllim dhe pa e ditur se çfarë do!

[11] Allahu e sjell këtë shembull për atë që e mohon Allahun pas besimit te Ai, dhe ka ndjekur djajtë prej idhujtarëve e mohuesve të Allahut, kurse ata që ishin shokët e tij muslimanë kur ky ishte në Islam, të cilët vazhdojnë me qëndrueshmëri në besimin dhe fenë e tyre, e thërrasin atë me sinqeritet për të mirën e tij që të kthehet në rrugën e drejtë, por ai refuzon dhe vazhdon të ndjekë rrugën e djajve duke adhuruar idhujt dhe zotat e trilluar prej tyre, ndonëse është në huti të plotë dhe nuk e di çfarë rruge duhet të ndjekë! Pastaj vazhdon ajeti për të treguar se rruga e drejtë dhe e saktë është vetëm Rruga e Allahut dhe asnjë rrugë tjetër.

[12] Kurse të gjitha rrugët dhe bestytintë e tjera të shpikura nga djajtë njerëz apo xhin, janë rrugë të shtrembëra e të gabuara, që nuk të çojnë veçse në humbje e shkatërrim të plotë në të dyja botët.

[13] Zoti ynë na ka urdhëruar që ta njësojmë Atë si Një Zot i vetëm e i Gjithëfuqishëm, të adhurojmë vetëm Atë, t’i nënshtrohemi Atij dhe të pranojmë gjithçka që Ai i ka shpallur të Dërguarit të Tij, Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[14] Të kryejmë namazin e detyrueshëm ashtu si ka urdhëruar Allahut dhe sipas traditës së të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe të kemi frikë Allahun duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[15] Para Allahut do të tubohen të gjithë në ditën e Gjykimit dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas veprave që ka bërë në dynja.

[16] Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësinë e Tij absolute, me saktësi dhe precizitet absolut, me rregull dhe ligj universal, me qëllim të caktuar dhe jo më kot, për të qenë prova e Tij e pamohueshme për mbarë njerëzimin; për të vërtetën e pamohueshme: mjafton të shohësh qiellin dhe Tokën për të mësuar madhështinë e Krijuesit të tyre Fuqiplotë, i Cili krijon me urtësi dhe qëllim; atëherë, si mund të adhurohen idhuj e zota të trilluar që nuk mund të krijojnë asgjë, madje ato vetë janë të krijuar, e pastaj të krahasohen e të vihen përkrah Krijuesit Absolut që e ka krijuar gjithçka nga asgjëja, që ka krijuar lëndën e parë dhe që i ka dhënë formë e jetë gjithçkaje!

[17] Do të bëhet Kiameti me të gjitha dukuritë e asaj dite: “Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.” [Ibrahim, 48]. Mjafton që Allahu të thotë “Bëhu” dhe gjithçka që Ai dëshiron bëhet, dhe kështu do të jetë edhe me bërjen e Kiametit, ndërrimin e Tokës me Tokë tjetër dhe të qiejve në qiej të tjerë, ringjalljen dhe llogarinë e shpejtë që Allahu do të bëjë atë Ditë. Ashtu si e ka filluar Allahu krijimin me fjalën “Bëhu”, po ashtu do ta zhdukë dhe do ta rikthejë atë po me atë fjalë, e Fjala e Allahut dhe premtimi i Tij është e vërtetë, në të cilën nuk ka dyshim.

[18] Suri është një bri të cilit i fryn engjëlli Israfil dy herë: kur të bëhet Kiameti dhe kur të bëhet ringjallja. Në këtë ajet është për qëllim fryrja e dytë e Surit, kur Allahu të ringjallë krijesat e Tij dhe t’i nxjerrë para Tij në Ditën e Llogarisë së madhe, ditë në të cilën i gjithë pushteti, sundimi dhe gjykimi i takon vetëm Allahut, dhe nuk do të ekzistojë atë ditë asnjë sundues tjetër përveç Tij, siç ishte në dynja.

[19] Allahu është i Vetmi që e di të fshehtën dhe të dukshmen në detaje, Ai është Urtë në gjithçka që vepron, krijon, zhduk apo ringjall e shpërblen, dhe Ai e di shumë mirë dhe në hollësi gjithçka; e di se çfarë veprash të mira apo të këqia bëjnë njerëzit, ua shënon ato atyre dhe i shpërblen sipas asaj që meritojnë, e në të gjitha rastet, Ai është Bujar dhe i Mëshirshëm; jep ndëshkim më të lehtë nga ai që meritojnë dhe jep shpërblim më të madh nga ai që meritojnë, madje shpërblimi i Tij nuk është veçse dhuratë nga Vetë Ai.

-136-


  1. Kujtoju Ibrahimin,[1] kur ai i tha të atit, Azerit: “A i merr idhujt për zota?![2] Unë vërtet po të shoh ty dhe popullin tënd në humbje të sigurt”.[3]
  2. Po kështu[4], Ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës[5], që ai të ishte nga të bindurit plotësisht.[6]
  3. Kur ra nata, ai pa një yll,[7] dhe tha: “Ky është Zoti im!”[8] Por, kur ai perëndoi, tha: “Unë nuk i dua ata që perëndojnë”.[9]
  4. Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!”[10] Por, kur ajo perëndoi[11], ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, me siguri do të bëhem nga të humburit”.[12]
  5. Kur pa Diellin duke lindur, ai tha: “Ky është Zoti im, ky është më i madh!”[13] Por, kur ky perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ato që ju i shoqëroni Allahut![14]
  6. Unë e kthej fytyrën time vetëm nga Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën,[15] me besimin e pastër[16], dhe unë nuk jam kurrsesi nga idhujtarët”![17]
  7. Atëherë, populli i tij polemizoi me të[18], kurse ai tha: “A polemizoni me mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar në rrugën e drejtë?![19] Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj[20], por vetëm nëse Zoti im dëshiron diçka[21]; Zoti im ka përfshirë çdo gjë në dijeninë e vet.[22] A nuk po mendoni?[23]
  8. E si t’i kem frikë idhujt tuaj,[24] ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i bëni Allahut shok,[25] pa ju zbritur kurrfarë argumenti[26]?! Atëherë, cili nga ne meriton të jetë i sigurt,[27] nëse e dini të vërtetën[28]!

[1] Dhe merre shembull atë në ftesën që i bën popullit tënd, o Muhamed, duke i sjellë atyre prova dhe argumente të njëjta me ato që Ibrahimi –alejhis selam- i sillte popullit të vet idhujtar, me qëllim që të logjikonin dhe të braktisnin idhujt dhe adhurimin e tyre e të ktheheshin te besimi i drejtë në Allah dhe të adhuronin vetëm Allahun, Një Zot të vetëm. Dhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) e mori për shembull Ibrahimin (salallhu alejhi ue selem), dhe të njëjtën gjë urdhërohet të bëjë edhe populli i Muhamedit, të gjithë muslimanët, në çdo vend e në çdo kohë.

[2] Kur e di mirë se ato nuk sjellin as dobi e as dëm, madje ju vetë i prodhoni ato nga guri, druri apo diçka tjetër, dhe i tregtoni ato?! Si mund t’i adhuroni këto idhuj e të lini adhurimin e Krijuesit tuaj, Atij që ju mban e ju furnizon, Atij që ju ka dhënë gjithçka ju nevojitet për të jetuar e për t’u kënaqur! A nuk logjikoni?

[3] Në rrugë dhe besim të gabuar, larg rrugës dhe besimit të drejtë e të vërtetë; rruga juaj e gabuar duket qartë nga çdokush që e sheh atë: në vend që të adhuroni vetëm Zotin tuaj që ju ka krijuar e që ka në Dorë gjithçka, shkoni e adhuroni idhuj e statuja!

[4] Siç i treguam Ibrahimit besimin dhe fenë e drejtë e të vërtetë, ndryshe nga populli i tij i humbur dhe idhujtar, po kështu i treguam atij mbretërinë e qiejve dhe të Tokës.

[5] Siç e bëmë Ibrahimin të shohë se babai dhe populli i tij ishin në humbje të singurtë, po kështu e bëmë atë që të shohë mbretërinë e qiejve e të Tokës: madhështinë e tyre, fuqinë dhe provat e Allahut në krijimin e tyre, gjithçka gjendet në qiej e në Tokë; në të gjithë qiejt deri në qiellin e shtatë, e madje Allahu i tregoi Ibrahimit edhe Arshin, Fronin e Tij; dhe gjithçka gjendet në Tokë prej maleve, deteve, pemëve, etj.

[6] Të ishte i bindur se Allahu është Një Zot i vetëm e Fuqiplotë dhe se vetë Ibrahimi ishte i dërguari i Allahut te populli i vet; dhe për këto të bindej duke i parë dhe duke i prekur me shqisat e tij dhe jo thjesht duke u njoftuar për to.

[7] Që ndriçonte më shumë se të tjerët, ose që lindte para të tjerëve. Thuhet se është për qëllim Afërdita (Venusi).

[8] Këtë fjalë ia tha babait dhe popullit të vetë idhujtar, për t’i tërhequr me urtësi dhe logjikë në besimin e vërtetë; sikur t’iu thoshte: “Pse të mos jetë ky yll një zot, ashtu si edhe idhujt tuaj; kështu që unë po zgjedh këtë, prandaj ejani të shohim nëse meriton të adhurohet; pastaj të nxirrni mësimet për idhujt tuaj që ju i adhuroni në vend të Krijuesit pa pasur asnjë provë të qartë e bindëse.

[9] Sepse ai që perëndon e humb përkujdesjen për adhuruesin e tij gjatë mungesës së tij, kështu që si mund të adhurohet e të merret për zot diçka me cilësi të tilla? A nuk është kjo e pavërteta më e madhe?!

[10] Duke vazhduar argumentimin logjik me popullin e vet; duke supozuar atë që bënin ata prej adhurimit të idhujve të ndryshëm.

[11] U vërtetua se nuk ishte zot që mund të kujdesej për adhuruesin e vet gjatë gjithë kohës, madje as nuk mund të adhurohej sepse humbte nga ekzistenca dhe shikimi i adhuruesit! Atëherë si mund të adhurohej Hëna në vend të Krijuesit të saj?!

[12] Për t’i treguar të gjithëve se udhëzimi vjen vetëm nga Zoti i Madh, Krijuesi i njeriut dhe i gjithçkaje që ekziston, prandaj vetëm Atij dorëzojuni dhe lutjuni që t’ju udhëzojë në besimin e vërtetë dhe në rrugën e drejtë; sepse ne të gjithë jemi të pafuqishëm dhe në nevojë të vazhdueshme për udhëzimin dhe përkujdesjen e Zotit tonë të Madhëruar, i Cili është i Vetmi që udhëzon në rrugën e drejtë dhe i Vetmi që të ndihmon në ndjekjen e saj.

[13] Meqenëse provat para kësaj ndodhnin gjatë natës, ai solli një provë që ndodhte gjatë ditës dhe që ishte më i madh se dy të parat, Diellin; që të rrëzonte çdo lloj supozimi apo dyshimi të tyre.

[14] Këto prova logjike të pakundështueshme vërtetojnë se çdo gjë që adhurohet në vend të Krijuesit është humbje e sigurtë, gënjeshtër dhe padrejtësia më e madhe që ekziston; sepse i Vetmi që meriton të adhurohet është vetëm Krijuesi i gjithçkaje, madje edhe i atyre që idhujtarët adhurojnë në vend të Tij apo bashkë me të; prandaj unë (Ibrahimi), o popull idhujtar, jam i pastër nga idhujtaria juaj, nuk e pranoj kurrë atë dhe e luftoj atë me të gjitha mundësitë, për të treguar të vërteteën e pamohueshme të adhurimit të Një Zoti të Vetëm.

[15] Unë ia dedikoj adhurimin tim vetëm Allahut, me sinqeritet, dhe i kthej shpinën çdo gjëje tjetër që ju adhuroni përveç Tij.

[16] Duke besuar dhe adhuruar vetëm Allahun dhe duke i kthyer shpinën çdo gjëje tjetër që adhurohet përveç Tij; me besimin e pastër dhe të vërtetë Islam.

[17] Nuk jam, nuk kam qenë asnjëherë dhe nuk do të jem kurrë idhujtar si ju, por të gjitha këto supozime ishin prova logjike të pamohueshme për vërtetimin e besimit të pastër e të vërtetë në adhurimin e Një Zoti të Vetëm, pa i shoqëruar Atij asnjë shok, e ky është besimi i pastër Islam.

[18] Në lidhje me besimin në Një Zot të Vetëm dhe pastërtinë e Ibrahimit nga idhujt; duke e kërcënuar atë se idhujt e tyre do i sillnin ndonjë të keqe.

[19] Kurse ju jeni në rrugë të gabuar dhe në humbje të sigurtë, sepse u vërtetua se idhujt tuaj e çdo gjë tjetër përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe nuk është zot; atëherë si bëni polemikë me mua në lidhje me besimin?!

[20] Me të cilët më kërcënoni, sepse ato nuk kanë fuqi të më bëjnë asgjë, as të keqe as të mirë, madje as veten e tyre nuk mund ta mbrojnë.

[21] Vetëm Zotin që më ka krijuar dhe që ka krijuar qiejt e Tokën, vetëm Atë kam frikë, sepse vetëm Ai ka në Dorë të më bëjë mirë apo keq, të më japë jetë apo vdekje, me Vullnetin e Tij.

[22] Allahu është Krijuesi i Vetëm i gjithçkaje që ekziston dhe Ai di gjithçka për krijimin e Vet dhe kujdeset për të, kurse idhujt tuaj nuk kanë asgjë nga këto Cilësi, madje vetë ato janë të krijuara dhe të supozuara nga njerëzit.

[23] A nuk po merrni mësim, o injorantë, që të kuptoni gabimin e rëndë e të shihni rrugën e gabuar që keni marrë me adhurimin e idhujve e formave të gurit e drurit që vetë ju i keni bërë me duart tuaja, e ato nuk kanë fuqi të bëjnë as dëm as dobi, dhe as që kuptojnë e logjikojnë; dhe për to, ju keni lënë adhurimin e Atij që ju ka krijuar juve dhe çdo krijesë tjetër, ndërkohë që Vetëm në Dorën e Tij është e mira dhe Ai ka fuqi për çdo gjë?!

[24] Që i adhuroni në vend të Allahut, duke e ditur se ato janë të pafuqishme dhe nuk kanë në dorë asgjë.

[25] Ndërkohë që Ai ju ka krijuar dhe ju ka Dorë; ka fuqi që t’ju dëmtojë e t’ju dënojë për adhurimin që ju i dedikoni idhujve dhe marrjen e tyre për zota në vend të Allahut.

[26] Adhuroni dhe merrni për fe diçka të pabazë, të pajustifikueshme dhe pa pasur argument nga Zoti juaj i Vërtetë, nga Krijuesi juaj!

[27] Cili nga ne është i sigurtë nga dënimi i Allahut, unë që adhuroj Krijuesin, Atë që meriton të adhurohet, apo ju që adhuroni sende që nuk sjellin dëm apo dobi?

[28] E asaj që ju sjell për argument dhe nëse jeni të sinqertë në fjalën tuaj.

-137-


  1. Ata që besojnë dhe besimin e tyre nuk e përziejnë me padrejtësi,[1] pikërisht atyre u takon siguria[2] dhe ata janë të udhëzuar drejtë.[3]
  2. Këto janë argumentet Tona[4], të cilat Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij[5]. Ne ngremë kë të duam në shkallë të larta[6]. Vërtet, Zoti yt është i Urtë, i Gjithëdijshëm[7].
  3. Më pas, Ne i dhuruam atij (Ibrahimit) Is’hakun dhe Jakubin[8], të cilët i udhëzuam në rrugë të drejtë që të dy. Edhe Nuhun e kishim udhëzuar më parë[9], dhe ndër pasardhësit e tij (Nuhut) udhëzuam Daudin[10], Sulejmanin[11], Ejubin[12], Jusufin[13], Musain[14] dhe Harunin[15]. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët.[16]
  4. Udhëzuam gjithashtu Zekerijan[17], Jahjain[18], Isain[19], Iljazin[20] – të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë.
  5. Po ashtu, udhëzuam Ismailin[21], Eljesain[22], Junusin[23] dhe Lutin[24] – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.[25]
  6. Edhe prej paraardhësve, pasardhësve dhe vëllezërve të tyre[26], Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugën e drejtë.[27]
  7. Ky është udhëzimi i Allahut[28], të cilin Ai ia dhuron kujt të dojë nga robët e Vet.[29] Por, nëse ata do t’i bënin shok Allahut, do t’u humbte gjithçka e mirë që vepruan.[30]
  8. Atyre Ne u kishim dhënë Librin, Urtësinë dhe Profecinë[31]. E, nëse këta (banorët e Mekës) i mohojnë këto (shpallje)[32], Ne do t’ia besojmë ato një populli tjetër që nuk do t’i mohojë[33].
  9. Këta (të dërguarit e përmendur më sipër) janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë, prandaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre[34]. Thuaj: “Unë nuk ju kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (thirrje). Kjo është vetëm këshillë për të gjithë botët (njerëzit dhe xhindet)”.[35]

[1] Padrejtësia në këtë ajet është idhujtaria; por edhe gjynahet kanë rolin e tyre në arritjen e sigurisë dhe udhëzimit të plotë, si në vijim.

[2] Siguria nga frika, nga dënimi dhe nga mjerimi i përjetshëm, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[3] Të udhëzuar në besimin e vërtetë dhe adhurimin e Një Zoti të vetëm. Siguria dhe udhëzimi që Zoti u jep njësuesve të Tij, mund të jenë të plota për ata që nuk e përziejnë besimin e tyre as me idhujtari  as me gjynahe, ose mund të jenë të pjesshme për ata që nuk e përziejnë besimin e tyre me idhujtari, por e përziejnë atë me gjynahe e vepra të këqia që Allahu i ka ndaluar; këta arrijnë bazën e sigurisë dhe udhëzimit, por nuk arrijnë plotësimin e saj. Nga ajeti kuptohet se ata që e përziejnë besimin e tyre me idhujtari e gjynahe, nuk kanë as siguri as udhëzim, madje përfundimi i tyre është frika, humbja dhe ndëshkimi [Es-Seadi f. 263]; e këta janë idhutjarët polemizues të Ibrahimit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe të gjithë idhujtarët në çdo vend e kohë. Me këtë vërtetohet se idhujtarët janë ata që duhet të kenë frikë, dhe nëse nuk pendohen e kthehen nga idhujtaria e tyre në besimin e vërtetë, nuk do i bëjnë keq veçse vetvetes.

[4] Argumentet logjike në fjalët që Ibrahimi i tha popullit politeist në ajetet e mëparshme.

[5] Me të cilat ai i sfidoi dhe triumfoi ta.

[6] Ashtu si ngritëm Ibrahimin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), në këtë botë dhe në botën tjetër; sepse me dijen, Allahu i ngre disa njerëz mbi të tjerët, dhe veçanërisht të diturin që punon me dijen që ka dhe i edukon njerëzit sipas saj.

[7] Kështu që nuk ia jep dijen dhe urtësinë veçse atij që e meriton, dhe Allahu e di shumë mirë se kush e meriton atë.

[8] Allahu e shpërbleu Ibrahimin për sinqeritetin dhe durimin e tij, duke e ngritur në shkallë të lartë në botën tjetër dhe duke i dhënë të mirat e kësaj bote gjithashtu, duke përfshirë këtu që Allahu i dhuroi Atij Is’hakun dhe nga pasardhësit e Is’hakut, Jakubin, i cili quhet gjithashtu Israil, babai i popullit të zgjedhur në atë kohë, Beni Israilët – Bijtë e Israilit; dhe këta i veçoi gjithashtu me Lajmin e Qiellit, duke i bërë profetë.

[9] Para Ibrahimit, Allahu kishte udhëzuar në rrugën e drejtë të besimit të vërtetë, Nuhun, birin e Idrizit, dhe profetë të tjerë nga pasardhësit e tij.

[10] Daudi i biri i Isha – alejhi selam, nga pasardhësit e Nuhut.

[11] Sulejmani i biri i Daudit – alejhima selam, nga pasardhësit e Nuhut.

[12] Ejubi i biri i Musit, birit të Razah, birit të Ijs, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit.

[13] Jusufi, biri i Jakubit, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit.

[14] Musai, biri i Imranit, birit të Jes’har, birit të Kahith, birit të Lavit, birit të Jakubit, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit.

[15] Haruni është vëllai i Musait.

[16] Kështu i shpërblen Allahu njerëzit e mirë, që i binden Allahut dhe që janë të sinqertë në besimin e tyre, të durueshëm në sprovat dhe misionin e tyre, duke i dhënë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, duke i udhëzuar në rrugën e drejtë dhe duke i dhuruar pasardhës që ndjekin rrugën e drejtë. Allahu i drejtohet Muhamedit dhe popullit të Muhamedit që do të lexojnë këto fjalë në Kuran, që t’i marrin shembull këta profetë dhe të ndjekin rrugën e udhëzimit që ata ndoqën, me qëllim që të arrijnë shpërblimin dhe gradat e larta në këtë botë dhe në botën tjetër.

[17] Zekerija, biri i Iddu, birit të Barkija.

[18] Jahja, biri i Zekerijas.

[19] Isai, biri i Merjemes, bijës së Imranit, birit të Jash’hem, biri të Amunit, birit të Hazkija.

[20] Ka mospajtim në mesin e dijetarëve në lidhje me prejardhjen e Iljasit; disa thonë se ai është Iljasi, biri i Tusba, birit të Finhas, birit të Ajzar, birit të Harunit, birit të Imranit, vëllait të Musait. Kurse të tjerë thonë se Iljazi është Idrizi, dhe kjo është përcjellë nga Ibën Mesudi, i cili transmeton se: “Idrizi është Iljazi, kurse Israili është Jakubi.” E përmend Taberiu në Tefsirin e tij, dhe e ka nxjerrë Ibën Ebi Hatim në Tefsirin e tij, Ibën Hibani, në “Eth thikat”, Ibën Asakir në “Historinë” e tij. Një gjë është e sigurtë, që të gjithë janë nga pasardhësit e Nuhut, alejhi selam.

[21] Ismaili, biri i Ibrahimit, babai i popullit më të mirë në rruzullin tokësor, popullit arab, dhe paraardhësi i zotëriut të bijve të Ademit, njeriut më të mirë të njerëzimit në këtë botë dhe në botën tjetër, Muhamedit – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit dhe të zgjedhurit e Allahut!

[22] Eljesea, biri i Akhtub, birit të el Axhuz.

[23] Junusi, biri i Metta.

[24] Luti, biri i Haranit, i vëllait të Ibrahimit.

[25] Shkallët e nderit tek Allahu, janë katër shkallët që i ka përmendur Allahu në fjalën e Tij: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi të madhe: me pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët! Eh sa shokë të mirë janë ata!” [En Nisa, 69]; dhe pa dyshim se këta të dërguar që i përmend Allahu në këto ajete, janë në shkallën më të lartë të nderit.

[26] Allahu udhëzoi dhe zgjodhi për lajmëtarë të shpalljes së Tij edhe shumë profetë të tjerë nga paraardhësit, pasardhësit apo vëllezërit e atyre që u përmendën me sipër, por që nuk përmenden këtu.

[27] Në rrugën e besimit të pastër Islam, dhe në rrugën e profetësisë, të thirrjes së njerëzve në besimin në Një Zot të Vetëm e të pashoq.

[28] Feja dhe udhëzimi i drejtë i Allahut, me të cilin arrin kënaqjen e Allahut, nderimin në këtë botë dhe nderin e shkallët e larta në botën tjetër.

[29] Prandaj kërkojeni udhëzimin, që të gjithë ju që i lexoni këto fjalë, sepse udhëzimi vjen vetëm nga Allahu.

[30] Sepse Allahu nuk pranon asnjë vepër nga ata që i bëjnë shok Atij, dhe nuk e fal që t’i bëhet shok Atij, edhe sikur kjo të ndodhte nga profetët e përmendur më sipër, prandaj kujdes, o njerëz, sepse Allahu nuk do ia falte idhujtarinë as profetëve, e jo juve!

[31] Atyre të dërguarve që u përmendën, Allahu iu kishte dhënë shpalljen dhe Librin e shenjtë, si: “Letrat e Ibrahimit dhe të Musait”, “Zeburi i Daudit”, “Inxhili i Isait”; si dhe urtësinë për të kuptuar shpalljen dhe Librin e shenjtë dhe për të gjykuar sipas ligjeve të tij.

[32] Nëse banorët idhujtarë të Mekes, i mohojnë këto shpallje dhe ajete të Librit të shenjtë (Kuranit) që Ne po të shpallim ty, o Muhamed, atëherë Ne do ia besojmë ato një populli tjetër, popullit të Medines, të cilët besuan masivisht dhe i bënë vend të Dërguarit të Allahut kur populli i vet e nxorri nga Meka. Pra, populli idhujtar i Mekes e humbi përgjithmonë atë privilegj që iu bë, me luftimin që i bënë Muhamedit dhe Shpalljes së Zotit, dhe si rezultat, privilegjin e fitoi populli i Medines; e Allahu di kujt ia jep udhëzimin dhe kujt ia beson shpalljen e Vet, ashtu siç ia kishte besuar atë të zgjedhurve të tjerë para Muhamedit, të cilët u përmendën më sipër.

[33] Popullit të Medines. Thuhet gjithashtu se janë për qëllim profetët që u përmendën më sipër, madje Taberiu zgjedh këtë mendim si më të saktin, por meqenëse këto ajete i drejtoheshin Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), për shkak të mohimit që i bëri populli idhujtar i Mekes, dhe faktikisht ndodhi që Allahu ia besoi më pas besimin dhe strehimin e Muhamedit popullit të Medines, atëherë që të jetë për qëllim populli i Medines ai popull të cilit Allahu do i besonte përkrahjen e shpalljes dhe të dërguarit të Tij, kjo është më afër qëllimit, e Allahu e di më mirë.

[34] Merri shembull të dërguarit e mëparshëm në rrugën e tyre, besimin e tyre, durimin e tyre, veprën e tyre, misionin e tyre. Dhe Muhamedi i mori shembull ata, madje arriti gradën më të lartë të udhëzimit, të profetësisë dhe devotshmërisë ndaj Allahut, duke u bërë më i miri i të gjithë profetëve dhe i të gjithë krijesave të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut!

[35] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve të Mekes që i kthyen shpinën thirrjes tënde: “Unë nuk ju kërkoj shpërblim për thirrjen që po ju bëj në rrugën e drejtë, apo për Kuranin që po ju komunikoj. Këto që ju shpall janë paralajmërim për një dënim të madh që do të vijë, në mënyrë që të merrni mësim, të ndiqni rrugën e drejtë dhe të largoheni nga idhujtaria dhe rruga e keqe.”

-138-


  1. Ata (mohuesit) nuk e vlerësuan Allahun siç duhet, kur thanë: “Allahu nuk i ka zbritur asnjë njeriu asgjë”.[1] Thuaj: “Atëherë, kush e shpalli Librin që solli Musai[2], që ishte dritë dhe udhërrëfyes për njerëzit[3]?! Librin që ju e keni shpërndarë në fletë,[4] ca prej të cilave i tregoni, ndërsa shumë prej tyre i fshihni, dhe mësuat (nga ai Libër) gjëra që as ju, as etërit tuaj nuk i dinit më parë?!” Thuaj: “Allahu e ka shpallur[5]!” Pastaj lëri ata të luajnë në atë llokoçitjen e tyre.[6]
  2. Edhe ky (Kuran) është një Libër që e kemi zbritur Ne[7]; i bekuar dhe vërtetues i atyre (Librave) para tij[8], dhe që ti (o Muhamed!) të paralajmërosh (me të) popullin e Nënës së Qyteteve (Mekës) dhe të gjithë ata që jetojnë rreth saj.[9] Ata që besojnë në jetën e ardhshme, e besojnë atë (Kuranin), dhe kujdesen për kryerjen e namazit të tyre rregullisht.[10]
  3. E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun, ose që thotë: “Mua më vjen shpallje!”, ndërkohë që atij nuk i shpallet asgjë, apo që thotë: “Unë mund të shpall diçka si ajo që ka shpallur Allahu!”?![11] Veç sikur t’i shihje të padrejtët[12] gjatë agonisë së vdekjes[13], kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Nxirrni shpirtrat tuaj! Sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që thonit për Allahun dhe mendjemadhësisë që bënit ndaj shpalljeve të Tij”.[14]
  4. (Allahu do të thotë:) “Ju na erdhët një nga një, ashtu siç ju krijuam herën e parë[15], duke lënë pas vetes ato që ju patëm dhënë[16]. Por nuk po i shohim me ju ndërmjetësuesit tuaj (idhujt), për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Allahut tek ju! Tashmë janë shkëputur të gjitha lidhjet mes jush, dhe ajo që pretendonit, ju ka humbur”.[17]

[1] Mohuesit e profetëve dhe shpalljes së Allahut, prej idhujtarëve të Mekes apo hebrenjve, nuk e vlerësojnë Allahun si duhet, pasi mohimi i profetëve dhe i shpalljes është cënim në urtësinë e Allahut, dhe pretendim se Allahu i ka lënë krijesat e Tij të përhumbur, pa i treguar të mirën e të keqen, pa i urdhëruar e pa i ndaluar asgjë, ndërkohë që mirësia më e madhe e Allahut mbi njerëzimin është se i ka dërguar atyre lajmëtarë dhe shpallje, që i udhëzon ata drejt rrugës së lumturisë dhe shpëtimit!

[2] Meqenëse ithtarët e Librit, prej hebrenjve dhe të krishterëve, nuk mund të mohojnë profecinë e Musait dhe Teuratin që iu shpall atij nga Allahu, atëherë si thonë që Allahu nuk i ka shpallur asnjë profeti asgjë?! Dhe përderisa i ka shpallur Musait, në të njëjtën mënyrë i ka shpallur edhe Muhamedit, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur apo mohuar, pasi shpallja dhe misioni i tyre është i njëjtë. Kjo, për të thënë se mohuesit e Muhamedit, e bëjnë këtë gjë me kokëfortësi, nga smira apo zilia, dhe në mënyrë krejtësisht të padrejtë, dhe jashtë çdo logjike, përndryshe, ata kundërshtojnë vetveten dhe besimin që pretendojnë se kanë dhe që ndjekin.

[3] Teurati dhe të gjithë Librat e zbritur nga Allahu janë ndriçues të errësirës dhe udhëzim në rrugën e drejtë nga humbja e sigurtë.

[4] Ata e shkruajtën Teuratin në fletë të ndara, pjesë-pjesë, me qëllim që të publikonin e të fshihnin prej tij sipas interesit dhe dëshirës.

[5] Jepja atyre përgjigjen e prerë dhe të padiskutueshme, o Muhamed, se Librin e Musait e zbriti Allahu, dhe se dija që ithtarët e Librit prej hebrenjve dhe të krishterëve kanë mësuar nga ai Libër, është dije e shpallur nga Allahu, jo meritë e tyre, e megjithatë, Allahu shpalli pas Teuratit, Kuranin, edhe me më shumë dije e udhëzime se Teurati, për të arritur shpëtimin dhe lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ia besoi atë një populli të zgjedhur, i cili do e publikonte dhe do ia përcillte atë mbarë njerëzimit, pa fshehur prej tij asgjë.

[6] Deri sa t’iu vijë dënimi i Allahut, për shkak të mohimit dhe talljes me shpalljet dhe provat e Allahut.

[7] Që Allahu ia ka shpallur Muhamedit.

[8] Kurani është vërtetues i Librave që Allahu i shpalli më parë profetëve të Tij; nuk bie në kundërshtim me ato Libra dhe është dritë dhe udhëzues për mbarë njerëzimin.

[9] T’i paralajmërosh të gjithë njerëzit, anembanë botës, për dënimin dhe zemërimin e Allahut mbi ata që mohojnë shpalljet e Allahut, Kuranin dhe librat e mëparshëm, apo që të mohojnë ty, o Muhamed, dhe profetët e mëparshëm.

[10] Kuranin e besojnë ata që besojnë edhe botën tjetër, dënimin dhe shpërblimin në atë botë, prandaj edhe përpiqen të jenë sa më të kujdesshëm me kryerjen e faljeve të rregullta ditore që i ka urdhëruar Allahu; kurse ata që nuk e besojnë botën tjetër, nuk e besojnë as Kuranin, sepse ata nuk shpresojnë ndonjë shpërblim nëse zbatojnë ato që thuhen në Kuran, dhe nuk i frikësohen ndonjë ndëshkimi nëse i shkelin ligjet e tij.

[11] Bëhet fjalë për profetët e rremë, që pretendojnë se ju vjen shpallje nga Allahu, apo se vetë ata mund të shkruajnë diçka të ngjashme me shpalljen që i erdhi Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Krimi i këtyre është krimi më i madh që ekziston në botë, për shkak se me gënjeshtrën dhe mashtrimin e tyre, këta i pështjellojnë njerëzit dhe i ndryshojnë atyre besimin dhe fenë; apo duke pretenduar se edhe ata kanë fuqi të bëjnë atë që bën Allahu dhe të shpallin si Shpallja e Tij (Kurani), duke i çuar njerëzit drejt idhujtarisë, dhe kjo është padrejtësia më e madhe që ekziston. Këta njerëz të dobët, të mangët fizikisht dhe mendërisht, pretendojnë t’i bëhen rival Allahut; A ka gënjeshtër dhe pamendësi më të madhe se kjo?!

[12] Idhujtarët, profetët e rremë dhe ata që pretendojnë se janë zota.

[13] Kur të gjithe ata do të vuajnë daljen e shpirtit, dhimbjet dhe tmerrin e agonisë së vdekjes; Sikur ju thuhet: “Ku janë pretendimet tuaja tani?! Ku jeni ju, o zota të rremë, e ju o idhujtarë të padrejtë ndaj Zotit tuaj?!”

[14] Ky ajet është argument për ndëshkimin apo shpërblimin në botën e vdekjes dhe të varrit (Barzakh – jeta e shpirtit pas vdekjes së trupit dhe para Kiametit dhe Botës tjetër), sepse kjo fjalë u drejtohet atyre në kohën e agonisë së vdekjes, pak para vdekjes dhe pas saj. Ajeti është gjithashtu argument se “shpirti” është “trup – materie”, që hyn dhe del, i flitet, i bashkangjitet trupit dhe ndahet prej tij.

[15] Pas botës së varrit dhe kur të bëhet Kiameti, të gjithë njerëzit do të dalin para Allahut një nga një, ashtu si u krijuan në këtë botë kur lindën nga nënat e tyre një e nga një.

[16] Prej të mirave të dynjasë: fëmijët, pasuria, pushteti, etj. me të cilat mburreshit në dynja.

[17] Askush nuk do të mund të ndihmojë askënd në botën tjetër, nuk do të mund të lidhet dhe nuk do të mund të ndërmjetësojë. Secili do të japë llogarinë e vet para Allahut, dhe idhujtarët nuk do të mund të ndihmohen nga idhujt e tyre që nuk ekzistojnë më si të tillë.

-139-


  1. Vetëm Allahu është Ai që farën (e bimëve) dhe bërthamën (e pemëve) e bën të mugullojë (të mbijë). Ai e nxjerr të gjallën prej të vdekurës dhe nxjerr të vdekurën prej të gjallës.[1] Ky është Allahu.[2] Atëherë, si devijoni?[3]
  2. Ai e bën të feks drita e agimit.[4] Natën e ka bërë për pushim, ndërsa Diellin dhe Hënën për të llogaritur kohën. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit.[5]
  3. Është Ai që i ka krijuar yjet për ju, që të orientoheni në errësirat e tokës dhe të detit. Ne ua kemi sqaruar qartë provat Tona njerëzve që dinë.[6]
  4. Është Ai që ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm (Ademit)[7]; pastaj në vend të qëndrueshëm (mitër) dhe vend depozitimi (shtylla kurrizore e burrit).[8] Ne ua kemi sqaruar qartë provat Tona njerëzve që kuptojnë.[9]
  5. Është Ai që lëshon nga qielli ujë (shi), nëpërmjet të cilit Ne nxjerrim sythët e çdo gjëje;[10] Prej tij (shiut) nxjerrim gjelbërim (bar gruri, etj.), e nga gjelbërimi kokrra në kallinj[11], palma hurme, nga sythët e të cilave nxjerrim kalaveshë të ulët, (nxjerrim me shiun) kopshte rrushi, ullinj dhe shegë, që ngjajnë (në krijim), por që janë të ndryshëm.[12] Vështroni frytet e tyre kur formohen dhe piqen.[13] Sigurisht që në këto ka prova për njerëzit që besojnë.[14]
  6. Kurse ata i bëjnë Allahut ortak xhinët,[15] ndërkohë që Ai i ka krijuar ata;[16] dhe duke mos pasur kurrfarë dije, i veshin Atij djem e vajza. I madhëruar dhe i lartësuar është Ai nga gjithçka që ia veshin ata![17]
  7. Ai është Krijuesi i pashembullt i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, kur nuk ka bashkëshorte[18]?! Ai ka krijuar çdo gjë, dhe është i Dijshëm për çdo gjë.[19]

[1] Për shembull, nxjerr pemën e gjallë nga fara e vdekur dhe farën e vdekur nga pema e gjallë.

[2] Vetëm Allahu i bën të gjitha këto.

[3] Si i shmangeni adhurimit vetëm të Allahut që i bën të gjitha këto, dhe adhuroni idhujt që nuk kanë fuqi për asgjë dhe nuk kanë në dorë t’ju bëjnë ndonjë dëm apo t’ju sjellin ndonjë dobi ?!

[4] Ashtu si shpërthen farën dhe bërthamën për të mbirë bimët dhe pemët, ashtu e çan errësirën e natës me dritën e agimit, në mënyrë graduale.

[5] Të cilit i janë nënshtruar të gjitha krijesat dhe nuk mund të dalin nga caktimi dhe ligji i vendosur nga Ai me dije dhe urtësi absolute.

[6] Argumentet e Allahut i drejtohen njerëzve që kanë dije dhe logjikë që t’i kuptojnë ato, ndryshe nga njerëzit pa dije dhe injorantë që i kthejnë shpinën dijes dhe provave, të cilat nuk i bëjnë dobi atyre dhe nuk i sqarojnë ndonjë paqartësi që kanë pasur, sepse nuk mendojnë fare.

[7] Allahu e filloi ekzistencën e njeriut në Tokë me krijimin e Ademit, njeriut të parë, babait të njerëzimit.

[8] Të gjithë bijtë e Ademit, pra të gjithë njerëzit pas Ademit, u krijuan nga nëna dhe baba, dhe të gjithë ata gjenden në palcën e shtyllës kurrizore të babës, mitrën e nënës, mbi Tokë ose nën Tokë, duke vazhduar ciklin e jetës në Tokë, deri sa të bëhet Kiameti.

[9] Allahu ia sqaron provat dhe argumentet e Tij njerëzve që e kuptojnë thelbin e argumentimit që Ai sjell dhe shohin madhështinë e Allahut në ato prova e argumente, kështu që adhurimin e tyre ia dedikojnë vetëm Allahut dhe kurrë nuk i bëjnë shok Atij.

[10] Me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët.

[11] Grur, elb, oriz, e çdo lloj bime tjetër që prodhon fara e kokrra.

[12] Të ndryshmëm në fruta, shije, vlera ushqyese, etj. Allahu i ka përmendur pikërisht këto pemë për veçoritë dhe vlerat e mëdha që ato kanë për njeriun, për ushqim dhe kurim.

[13] Meditoni sa mrekullisht ndodh formimi dhe pjekja e frutave të pemëve, dhe madhëroni Allahun!

[14] Besimtarët janë ata që meditojnë në provat dhe mrekullitë e Allahut, që nxjerrin përfitime dhe dobi prej tyre, dhe që madhërojnë dhe adhurojnë vetëm Allahun; ndryshe nga jo-besimtarët dhe idhujtarët, të cilët i kanë zemrat të vulosura dhe mendjet të mbyllura, kështu që nuk i shohin provat dhe mrekullitë e Allahut që të mund të mësojnë e të përfitojnë prej tyre, dhe t’ia dedikojnë adhurimin vetëm Allahut, por në vend të Tij adhurojnë idhuj e zota të rremë.

[15] Megjithëse është Allahu Ai që e ka krijuar gjithçka për njeriun, dhe me gjithë provat e qarta që Allahu i kujton njeriut me qëllim që ky të falënderojë vetëm Allahun dhe t’ia dedikojë adhurimin vetëm Atij, njerëzit idhujtarë, gjithësesi, i bëjnë Allahut shok prej krijesave të Tij.

[16] Xhinët janë krijesa të Allahut, kështu që si mundet që idhujtarët t’i bëjnë ata ortak të Allahut, dhe t’i krahasojnë me Allahun?! A nuk është kjo pamendësia dhe padrejtësia më e madhe që ekziston?!

[17] I Pastër dhe i Lartë është Allahu nga cilësitë që i veshin këta injorantë, cilësi që nuk i përshtaten Krijuesit por krijesave, të cilat nga dobësia, mangësia dhe epshet e tyre kanë nevojë të martohen e të kenë fëmijë!

[18] Allahu krijoi bashkëshorte për njeriun, për shkak se ky i fundit kishte nevojë për të, kurse Allahu është Krijuesi i gjithçkaje, që nuk ka nevojë për asgjë, kështu që si mund të ketë fëmijë kur gjithçka tjetër përveç Tij është e krijuar nga Ai!

[19] Allahu ka krijuar gjithçka në mënyrë të përsosur me dijen e Tij absolute, dhe di gjithçka për çdo gjë që ka krijuar.

-140-


  1. Ky është Allahu, Zoti juaj.[1] S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje![2]
  2. Shikimet (e krijesave) nuk mund ta përfshijnë Atë,[3] kurse Ai i përfshin të gjitha shikimet.[4] Ai është më i Buti, Njohësi i çdo gjëje në hollësi.[5]
  3. (Thuaju, o Muhamed[6]): “Ju kanë ardhur prova të qarta nga Zoti juaj[7]; Ai që i sheh ato,[8] e ka për të mirën e vetë, ndërsa ai që bën të verbërin, i bën dëm vetes.[9] Unë nuk jam roja juaj.[10]
  4. Kështu i administrojmë Ne provat, që këta[11] të (mos) thonë: “Ti i ke mësuar këto[12]!”, dhe që t’ua bëjmë të qarta njerëzve që dinë.[13]
  5. Ti (o Muhamed) ndiq atë që të është shpallur nga Zoti yt; S’ka zot të vërtetë veç Tij; Dhe shmangu prej idhujtarëve![14]
  6. Sikur të donte Allahu, ata nuk do t’i bënin shok Atij.[15] Ne nuk të kemi bërë ty (o Muhamed) roje të tyre, dhe ti nuk je përgjegjës për ta.[16]
  7. Mos ua shani ato (idhujt) që ata i adhurojnë në vend të Allahut, që të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija![17] Kështu, Ne ia zbukurojmë çdo populli veprat e veta[18], pastaj ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i njoftojë për gjithçka që kanë vepruar.[19]
  8. Ata (idhujtarët) u betuan solemnisht në Allahun se, nëse iu vjen një mrekulli,[20] ata me siguri do të besojnë. Thuaj: “Mrekullitë janë vetëm te Allahu!”[21] E kush ju siguron se, kur t’u vijë mrekullia, ata do të besojnë?[22]
  9. Ne i përmbysim zemrat dhe shikimet e tyre,[23] ashtu si nuk e besuan atë (Kuranin) herën e parë, dhe i lëmë ata të bredhin të verbër në humbjen e tyre.[24]

[1] Zoti juaj, o idhujtarë, është Allahu, i Cili ka krijuar gjithçka, dhe nuk janë idhujt tuaj që nuk kanë në dorë asnjë dëm apo dobi për ju, prandaj ktheni rrugë dhe mos i bëni shok Allahut, por adhuroni vetëm Atë!

[2] Gjithçka ekziston është nën përkujdesjen dhe kontrollin e Allahut, prandaj vetëm Atë adhuroni dhe mos i bëni shok Atij.

[3] Për shkak të madhështisë së Tij, krijesat nuk mund ta përfshijnë Allahun me shikimet e tyre, dhe fakti që  që besimtarët do shohin tek Allahu në botën tjetër, nuk bie në kundërshtim me këtë, pasi shikimi i tyre gjithësesi nuk do të jetë gjithëpërfshirës.

[4] Shikimi Allahut dhe dija e Tij përfshin gjithçka, të dukshme dhe të padukshme, të vogël e të madhe, të shfaqur apo të fshehur.

[5] Allahu di gjithçka për krijesat e Tij, di edhe shkakun pse ato nuk mund ta përfshijnë Allahun me shikimin e tyre, duke i krijuar ne atë mënyrë që është më e përshtatshme për ato, si krijesa, dhe këtë e ka bërë nga butësia, mëshira dhe urtësia e Tij absolute.

[6] Idhujtarëve dhe mohuesve që janë për qëllim në ajetet e mësipërme.

[7] Prova që vërtetojnë të vërtetën dhe ia shfaqin atë zemrës njësoj si shohin sytë diellin në mes të ditës, për faktin se janë prova të qarta, të kuptueshme, të larta, domethënëse dhe të bukura për ata që i shohin dhe i kuptojnë.

[8] Ai që i sheh provat e Allahut, që i njeh, i pranon dhe i beson ato.

[9] Ai që nuk do që t’i shohë, që nuk i analizon dhe nuk i beson provat e Allahut, dëmton vetëm vetveten e tij.

[10] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk është rojë apo mbikqyrës që ruan dhe shënon veprat e njerëzve, por ai është vetëm lajmëtar i Allahut dhe transmetues i Fjalës së Tij, kurse Allahu është Ai që mbikqyr veprat e njerëzve, pa i shpëtuar asgjë prej tyre.

[11] Idhujtarët dhe mohuesit.

[12] Që të mos thonë se i ke mësuar nga ithtarët e Librit, hebrenjtë dhe të krishterët, pasi që këto prova janë të çastit, shumë të qarta, që vijnë nga Allahu, dhe aspak të mësuara nga të tjerët.

[13] Të dallojnë të vërtetën dhe provat e Allahut.

[14] Mos polemizo me idhujtarët, mos i lufto ata momentalisht (deri sa të vijë urdhri nga Allahu – në Medine) dhe mos i sha idhujt e tyre, që të mos kthehen e të shajnë Allahun padrejtësisht dhe me injorancë.

[15] Sikur të donte Allahu, do t’i kishte përfshirë ata me butësinë e Tij dhe do i jepte sukses që të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos i bënin shok Atij, por ata i mbyllën sytë dhe zemrat e tyre nga provat e Allahut, kështu që zgjodhën humbjen dhe ndëshkimin.

[16] Nuk je përgjegjës për veprat që bëjnë ata, për furnizimin apo ushqyerjen e tyre, apo për diçka tjetër që nuk është përgjegjësia jote si Lajmëtar i Allahut, por je vetëm Lajmëtar i Allahut: paralajmërues dhe përgëzues.

[17] Nga padija për madhështinë e Allahut, Krijuesit të tyre dhe të gjithçkaje që ekziston.

[18] Që t’iu duken të drejta dhe të mira, megjithëse janë idhujtari dhe robërim ndaj krijesave, për shkak të verbërimit të tyre dhe ndjekjes së epsheve dhe qefeve të dynjasë.

[19] Do të kthehen te Zoti i tyre, për t’u shpërblyer me veprat që i kanë bërë në dynja; për t’u shpërblyer me zjarr ose me parajsë të përhershme.

[20] Që vërteton fjalën dhe profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[21] Mrekullitë i zotëron vetëm Allahu, dhe vetëm Ai i zbret ato ku dhe kur të dojë.

[22] Edhe nëse Allahu zbret mrekulli që vërteton fjalën e Muhamedit, ata përsëri nuk do të besojnë, por do të thonë magji, apo diçka tjetër.

[23] I përmbysim zemrat e tyre nga besimi në mosbesim, dhe i përmbysim shikimet e tyre që të mos e shohin të vërtetën; për shkak të mosbesimit të tyre në fillim.

[24] Si rezultat i mohimit të provave të Allahut, Kuranit dhe Muhamedit, idhujtarët dhe mohuesit do të jenë gjithnjë në verbëri, nuk do të kenë sukses në asgjë të mirë, dhe do të jenë gjithnjë të përçmuar e të përbuzur, dhe kurrë nuk do i shohin gjërat ashtu si janë në realitet; pra do të sorollaten të përhumbur në këtë botë, dhe nuk do të shpëtojnë nga zjarri dhe dënimi i dhimbshëm në botën tjetër.

-141-


  1. Edhe sikur t’u zbrisnim atyre engjëjt, t’u flisnin të vdekurit dhe t’i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, përveç nëse do të donte Allahu;[1] por shumica e tyre nuk dinë.[2]
  2. Po kështu i kemi bërë armiq çdo profeti djajtë e njerëzve dhe të xhinëve[3], që të frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të zbukuruara për të mashtruar.[4] Por, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do ta bënin këtë,[5] prandaj lëri ata dhe trillimet që bëjnë.[6]
  3. Dhe që të anojnë nga ato (fjalët mashtruese) zemrat e atyre që nuk besojnë në Ditën e Kiametit, të kënaqen me to dhe të ngarkohen me veprat që janë duke bërë.[7]
  4. (Thuaj) “A të kërkoj gjykatës tjetër përveç Allahut, kur është Ai që jua ka zbritur Librin të detajuar?!”[8] Edhe ata që Ne u kemi zbritur Librin (më parë)[9], e dinë se ai (Kurani) është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, ti kurrë mos u bëj nga dyshuesit![10]
  5. Fjalët e Zotit tënd janë të përkryera në vërtetësi dhe drejtësi.[11] Askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Tij.[12] Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[13]
  6. Nëse i bindesh shumicës së atyre që gjenden në tokë, do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata nuk ndjekin veçse hamendjen dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse supozojnë. [14]
  7. S’ka dyshim, Zoti yt e di më së miri se kush shmanget nga rruga e Tij, dhe Ai e di më së miri se kush janë të udhëzuarit.[15]
  8. Hani vetëm atë mish, që është therrur duke përmendur emrin e Allahut, nëse vërtet besoni në provat e Tij.[16]

[1] Idhujtarët që kërkojnë prova të qarta për të besuar, nuk do të besonin gjithësesi, edhe nëse ju sjell atyre provat më të mëdha, si zbritja e engjëjve që t’i shihnin me sytë e tyre, apo ngjallja e të vdekurve që t’u flisnin direkt atyre, dhe t’u thonin se ti, o Muhamed, thua të vërtetën dhe ke ardhur me të vërtetën nga Allahu, apo edhe sikur t’i tubonim të gjitha gjërat para tyre dhe t’i shihnin hapur; përveç nëse Allahu do të donte të udhëzonte ndonjërin prej tyre.

[2] Shumica e idhujtarëve nuk e dinë këtë gjë, por kujtojnë se besimi apo mosbesimi është në dorën e tyre; kur të duan besojnë dhe kur të duan nuk besojnë! Por nuk është kështu, sepse udhëzimi është në Dorë të Allahut dhe jo në dëshirën e tyre.

[3] Allahu këtu kurajon të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), duke i thënë se po kështu si ti janë armiqësuar e përgënjeshtruar edhe profetët e tjerë që kanë qenë para teje, dhe që të gjithë ata kanë pasur armiq prej djajve njerëz e xhinë. Kjo është mënyra se si Allahu i ka caktuar gjërat.

[4] I thonë njëri-tjetrit fjalë të bukura por të pavërteta me qëllim që ata që i dëgjojnë prej mendjelehtëve të mashtrohen dhe të devijojnë nga e vërteta.

[5] Sikur të donte Allahu që armiqtë e profetëve, prej njerëzve apo xhinëve, të besonin, do t’i bënte ata të besonin, por Allahu nuk donte këtë, por donte që t’i sprovonte ata me njëri-tjetrin dhe secili të meritonte atë që i ishte caktuar.

[6] Prandaj duro, sepse Allahu do i ndëshkojë ata për trillimet dhe shpifjet që bëjnë ndaj Allahut dhe ndaj teje, o Muhamed!

[7] Kur njerëzit me zemër të prishur i dëgjojnë fjalët e zbukuruara dhe të pavërteta, anojnë nga ato, i pëlqejnë dhe i duan, pastaj thonë të njëjtat fjalë dhe bëjnë të njëjtat vepra si ata nga të cilët i dëgjuan.

[8] Thuaj, o Muhamed, idhujtarëve që të thonë të mos flasësh kundër idhujtarisë së tyre, se është Allahu që të ka urdhëruar dhe ka gjykuar për këtë, dhe ti nuk mund ta lësh gjykimin e Allahut, që është gjykimi më i drejtë dhe i vërtetë, dhe është Ai që e ka zbritur Kuranin dhe ka sqaruar mirë në të gjykimin e idhujtarisë për të cilën kundërshtohesh me idhujtarët, gjykimin për hallallin dhe haramin, për besimin dhe ligjet e sheriatit.

[9] Teuratin dhe Inxhilin; pra bijtë e Izraelit (Beni Israilët), hebrenjtë dhe të krishterët.

[10] Mos dysho në vërtetësinë e atyre që të shpallen nga Allahu në këtë Libër dhe në çfarë ai përfshin, sepse edhe ata që iu kemi dhënë Librin më parë, e dinë se ky Kuran është i zbritur nga Zoti yt me të vërtetë.

[11] Fjalët e Allahut në Kuran janë të përkryera në vërtetësinë e njoftimeve që tregojnë dhe në drejtësinë e gjykimeve që përmbajnë.

[12] Askush nuk mund të ndryshojë ato që janë treguar dhe njoftuar në Librin e Allahut; as koha as vendi as forma e tyre.

[13] Allahu dëgjon gjithçka, në çdo gjuhë apo tingull, dhe di gjithçka të dukshme dhe të padukshme, të shkuar apo të ardhme.

[14] Për faktin se janë të devijuar në besimet e tyre, veprat dhe njohuritë që kanë; besimet e tyre janë të prishura (mohues ose idhujtarë), veprat e tyre ndjekin epshet e tyre dhe njohuritë e tyre janë pa baza apo prova, që nuk të çojnë në të vërtetën dhe rrugën e drejtë. Madje njohuritë e tyre janë vetëm hamendje dhe supozime që nuk i afrohen aspak të vërtetës dhe dijes së sigurtë, si dhe flasin për Allahun pa dije, kështu që këtyre nuk duhet t’u bindesh dhe as t’i ndjekësh. Megjithëse fjala i drejtohet Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem), por kjo vlen për të gjithë muslimanët. [Es Seadi].

[15] Zoti yt, o Muhamed, i Cili të ndaloi t’i bindesh idhujtarëve që mos të të largojnë nga Rruga e Allahut, e di më mirë se çdokush, se kush nga krijesat e Tij i shmanget Rrugës së Tij për shkak të fjalëve të zbukuruara e mashtruese që djajtë i frymëzojnë njëri-tjetrit, dhe Ai e di gjithashtu më mirë se çdokush, se kush prej tyre është në Rrugën e Drejtë dhe të Vërtetë. Prandaj, o Muhamed, ndiq atë që të kam urdhëruar dhe largoju asaj që të kam ndaluar prej bindjes ndaj tyre.

[16] Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij dhe të gjithë besimtarëve, që të hanë prej kafshëve të lejuara që ata therin në atë formë që ua ka sqaruar atyre për të qenë hallall (e lejuar) për ta; Duke qenë personi që e ther kafshën besimtar musliman, ose nga njësuesit e Allahut prej ithtarëve të Librit, hebrenj apo të krishterë, dhe jo idhujtar apo nga ata që nuk iu ka zbritur Libër qiellor, siç janë Mexhusët (adhuruesit e zjarrit); dhe duke përmendur Emrin e Allahut gjatë therjes së kafshës.

-142-


  1. E çfarë ju bën të mos hani nga ajo që është therur me emrin e Allahut, kur Ai tashmë jua ka sqaruar ç’është e ndaluar për ju, përveçse kur jeni të detyruar?![1] Shumë njerëz i largojnë të tjerët nga e vërteta duke ndjekur dëshirat e veta, pa pasur dije.[2] Por Zoti yt di më së miri për ata që i kalojnë kufijtë.[3]
  2. Largohuni nga gjynahet e hapura dhe të fshehura[4], sepse, ata që bëjnë gjynah, patjetër që do të ndëshkohen për atë që kanë bërë[5].
  3. Mos hani nga ajo kafshë që nuk është therur me emrin e Allahut,[6] sepse kjo është mëkat![7] Në të vërtetë, djajtë i nxisin miqtë e tyre që të hyjnë në polemikë me ju.[8] E nëse ju u bindeni atyre,[9] atëherë edhe ju do të ishit idhujtarë.
  4. A është njësoj ai që ishte i vdekur[10] por Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën mes njerëzve,[11] me atë që është në errësira nga të cilat nuk mund të dalë?![12] Kështu, mohuesve i duken të bukura veprat që bëjnë.[13]
  5. Po kështu,[14] në çdo qytet Ne i kemi bërë disa të mëdhenj (pushtetarë) kriminelë[15], që të ngrenë kurthe.[16] Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes por nuk e ndiejnë.[17]
  6. Kur atyre u vjen ndonjë provë,[18] thonë: “Nuk do të besojmë deri sa të na jepet si ajo që u është dhënë të dërguarve të Allahut.”[19] Por Allahu e di më mirë ku e vendos mesazhin e Vet.[20] Ata që kanë bërë krime,[21] do i mbulojë një poshtërim nga Allahu dhe ndëshkim i ashpër për shkak të kurtheve që ngrinin.

[1] Origjina në lidhje me ushqimet dhe gjërat e tjera është se ato janë të gjitha të lejuara, me përjashtim të atyre që Allahu ka sqaruar se janë të ndaluara, kurse ato që nuk i ka përmendur janë të lejuara. Madje edhe ato që Allahu i ka ndaluar, lejohen në rast detyrimi dhe rreziku për jetën, pa pasur qëllim gjynahun, si mëshirë nga Allahu. [Shih ajetin 3 nga surja el Maide]. Pra, hallalli dhe harami janë të qarta, kështu që nuk ka arsye pse të ndaloheni nga hallalli që është mirësi nga Allahu për ju, o besimtarë, por pranojeni atë dhe falënderoni Allahun për mirësitë e Tij mbi ju.

[2] Shumë njerëz që polemizojnë me ju, o besimtarë, në lidhje me ngrënien e atyre që Allahu i ka ndaluar, prej të ngordhtës, i largojnë ndjekësit e tyre nga e vërteta pa pasur dije apo provë për atë që thonë, por vetëm duke shkuar pas dëshirave dhe epsheve të veta, duke shkelur kufijtë e Allahut dhe duke kundërshtuar Urdhrat dhe Ndalesat e Tij, në bindje ndaj shejtanit.

[3] Dhe do u japë ndëshkimin që meritojnë.

[4] Qofshin ato gjynahe që kanë të bëjnë me të drejtat e Allahut apo të drejtat e njerëzve, dhe qofshin gjynahe që bëhen me trup dhe gjymtyrë apo që bëhen me zemër, siç është mendjemadhësia, hipokrizia, smira, etj. Besimtari duhet t’i largohet të gjitha llojeve të gjynaheve, të vogla e të mëdha, qoftë në publik apo në vetmi.

[5] Çdokush që bën gjynah do të dënohet në varësi të madhësisë së gjynahut dhe sasisë së tij; Ky dënim është në botën tjetër, por mund të jetë edhe në këtë botë, dhe në këtë rast i pakësohet dënimi në botën tjetër.

[6] Këtu përfshihet kafsha e ngordhur, ajo që është therur në emër të idhujve dhe ajo që nuk është therur nga muslimanët apo ithtarët e Librit (hebrenjtë apo të krishterët).

[7] Disa dijetarë thonë se me fjalën “fisk” këtu është për qëllim mëkati, kurse të tjerë thonë se është për qëllim mohimi (kufri).

[8] Djajtë prej xhinëve apo njerëzve i nxisin miqtë e tyre prej idhujtarëve kurashit apo të tjerë, që të polemizojnë me ju, o besimtarë, për kafshët e ngordhura  apo ato që Allahu i ka ndaluar të hahen; Ata thonë për të ngordhtën se atë e ka therur Allahu, kështu që pse të ndalohet ajo që ka therur Allahu, e të lejohet ajo që therni ju; pa pasur aspak dije për shkakun e ndalimit dhe për rëndësinë e therjes së kafshës dhe nxjerjen e gjakut prej saj që të lejohet ngrënia e mishit të saj, ndryshe nga e ngordhura që i është mpiksur gjaku në trup, e Allahu e ka ndaluar ngrënien e gjakut.

[9] Në ngrënien e të ngordhtës dhe të asaj që është therur në emër të idhujve, duke bërë të lejuar atë që e ka ndaluar Allahu, dhe duke ndaluar atë që Ai ka lejuar.

[10] Ishte mohues, në mosbesim dhe idhujtari.

[11] Duke e udhëzuar në Islam dhe duke e bërë që të shohë të vërtetën e besimit dhe ta pasojë atë.

[12] Në errësirat e mosbesimit dhe idhujtarisë, ku nuk e sheh rrugën dhe nuk di si të dalë.

[13] Megjithëse janë në humbje dhe ecin në errësira pa krye, pa ditur nga shkojnë dhe çfarë bëjnë, mohuesve iu duken të bukura dhe të mira veprat e këqia dhe lajthitja e tyre, kështu që vazhdojnë të zhyten edhe më shumë në humbje dhe shkelje të Ligjeve të Allahut, për të merituar ndëshkimin e Tij të rëndë dhe poshtërues.

[14] Siç ua kemi zbukuruar mohuesve dhe idhujtarëve të Mekes veprat e këqia.

[15] Që bëjnë krime të rënda dhe janë idhujtarë e mëkatarë.

[16] Kundër të vërtetës, me mashtrim dhe zbukurim të rrugës së djallit.

[17] Se çfarë dënimi të dhembshëm ka përgatitur Allahu për ta.

[18] Nga Allahu, për vërtetimin e profetësisë së Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fjalëve të tij.

[19] Nuk do të besojmë në fenë që na fton Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) deri sa Allahu të na japë mrekulli si ato të Musait kur hapi detin, apo të Isait kur ngjalli të vdekurin dhe shëroi memecin dhe lebrozin.

[20] Mrekullitë e lajmëtarëve dhe profetëve të Allahut u jepen vetëm profetëve të dërguar nga Allahu, dhe nuk u jepen atyre që i bëjnë Allahut shok dhe adhurojnë idhujt e skulpturat. Allahu e di më mirë se çdokush  se kush i meriton mrekullitë dhe mesazhet e Tij, dhe të jetë profet dhe lajmëtar i Tij.

[21] Idhujtari, mohim dhe shkelje të Ligjeve të Allahut.

-143-


  1. Atij që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia hap zemrën për Islamin,[1] ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, ia ngushton gjoksin fortë, sikur të ngjitej në qiell.[2] Kështu Allahu vendos ndyrësinë mbi ata që nuk besojnë.[3]
  2. Kjo është rruga e Zotit tënd, e drejtë.[4] Ne i kemi shpjeguar provat Tona për njerëzit që mendojnë.[5]
  3. Ata do të kenë Shtëpinë e Sigurisë te Zoti i tyre.[6] Ai është Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë.[7]
  4. Ditën kur Ai do t’i tubojë të gjithë,[8] do të thotë: “O grumbull i xhinëve! Ju mashtruat shumë njerëz!”[9] – Miqtë e tyre (xhinëve) prej njerëzve do të thonë: “O Zoti ynë! Ne u kënaqëm me njëri – tjetrin[10] dhe arritëm në afatin tonë, të cilin na e pate caktuar Ti”.[11] Allahu do të thotë: “Zjarri është vendqëndrimi juaj, ku do të qëndroni përgjithmonë, përveç kohës që do Allahu.[12] Vërtet, Zoti yt është i Urtë, i Gjithëdijshëm.[13]
  5. Kështu, Ne i bëjmë të padrejtët miq të njëri-tjetrit, për shkak të asaj që vepronin.[14]
  6. “O grumbull i xhinëve dhe i njerëzve! A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar provat e Mia dhe për t’ju paralajmëruar takimin e kësaj dite?”[15] Ata do të thonë: “Dëshmojmë kundër vetes sonë”.[16] Jeta e dynjasë i mashtroi ata, kështu që dëshmuan kundër vetes se kanë qenë mohues.
  7. Kjo,[17] sepse Zoti yt nuk e shkatërron asnjë vend për shkak të padrejtësisë (idhujtarisë), ndërkohë që banorët e tij janë të pandërgjegjësuar.[18]

[1] I hap dhe i zgjeron zemrën me dritën e Islamit, dhe i jep jetë asaj me dritën e besimit; kështu që kjo zemër qetësohet në vetvete, dëshiron vetëm të mirën dhe vepron mirë, dhe e shijon atë pa ndjerë ndonjë lodhje apo mërzitje, sepse Allahu e ka udhëzuar atë dhe i ka dhënë sukses në pasimin e rrugës së drejtë; Këto janë edhe shenjat që tregojnë se Allahu e ka udhëzuar një person.

[2] Shenja e të humburit është ngushtimi i fortë i gjoksit për shkak të mohimit, dyshimeve dhe mëkateve, sa që drita e besimit, dija dhe e mira nuk arrijnë të futen brenda tij. Zemra e tij nuk hapet për të pranuar Islamin dhe të mirën, por ngushohet aq shumë, sikur të ngjitej në qiell; me kuptimin e pamundësisë së ngjitjes në qiell, ose me kuptimin e ngushtimit real të gjoksit në rast se njeriu do të ngjitej në qiell, për shkak të mungesës së ajrit. Padyshim se ky është një krahasim shkencor sfidues dhe provë nga provat e Allahut.

[3] Për shkak të ngushtimit të gjoksit para dritës së besimit dhe zgjedhjes së errësirave dhe krimeve, Allahu vendos ndyrësinë, të keqen, sundimin e djallit dhe ndëshkimin mbi ata që nuk besojnë; ndyrësia është cilësi e tyre dalluese.

[4] Kjo që kemi sqaruar në këtë sure dhe në suret e tjera të Kuranit është rruga e Zotit tënd dhe feja e Tij; dhe Zoti e ka bërë këtë rrugë që të jetë e drejtë dhe pa lakime, prandaj qëndro në këtë rrugë dhe përmbaju ndalesave dhe urdhrave të Zotit.

[5] Allahu i ka sqaruar provat për vërtetësinë e rrugës së drejtë, për ata njerëz që mendojnë dhe thellohen në kuptimin e provave të Allahut, si dhe kujtojnë mësimet e nxjerra nga popujt e mëparshëm. Vetëm ata që mendojnë mund të kuptojnë dhe të dallojnë të vërtetën nga e pavërteta dhe të mirën nga e keqa.

[6] Ata që mendojnë në provat e Allahut dhe i besojnë e marrin mësim prej tyre, do të kenë Xhenetin, Shtëpinë e Sigurisë, shtëpinë e Siguruesit të tyre, Zotit të tyre; Esselam (Siguruesi) është nga emrat e bukur të Allahut.

[7] Në bindje ndaj Allahut dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij.

[8] Ditën e Kiametit.

[9] Mashtruat dhe çuat në humbje shumë njerëz, kur ishit në dynja.

[10] Njerëzit që kishin adhuruar e ndjekur xhinët në dynja, do të thonë se ata ishin kënaqur me njëri-tjetrin dhe e kishin marrë atë që dëshironin nga njëri-tjetri deri sa iu erdhi vdekja në dynja; njerëzit kërkonin mbrojtjen dhe mbështetjen e xhinëve në disa vepra dhe situata të caktuara, kurse xhinët kënaqeshin me madhërimin që i bëhej nga njerëzit, dhe kështu mburreshin duke thënë se ishin zotërinj të njerëzve dhe të xhinëve.

[11] Arritëm kohën dhe vendin ku Ti e shpërblen secilin sipas veprave, kështu që vepro me ne si të duash, sepse ne nuk kemi asnjë justifikim dhe provë për t’u mbrojtur. Kjo fjalë e tyre tregon një lloj pendese dhe kërkim të faljes, por jo në kohën e vet, kështu që Allahu do të gjykojë mbi ta me gjykimin e Tij të drejtë.

[12] D.m.th. përveç kohës nga ringjallja deri në futjen e tyre në Zjarrin e Xhehenemit; kjo është koha që përjashtohet nga fjala “përgjithmonë”; përndryshe, me hyrjen në Zjarr, ata do të jenë përgjithmonë në të, pa mbarim.

[13] Allahu është i Urtë në gjithçka vepron në krijimin e Tij, dhe di gjithçka për përfundimin e secilit prej krijesave të Tij.

[14] Të gjithë të padrejtët, mohues, idhujtarë e mëkatarë, qofshin prej xhinëve apo prej njerëzve, janë miq të njëri-tjetrit, në këtë botë dhe në botën tjetër, ashtu si edhe besimtarët janë miq të njëri-tjetrit, dhe ajo që i bashkon dy grupet janë veprat e tyre që bëjnë në këtë botë; veprat e këqia bashkojnë të këqinjtë, dhe veprat e mira bashkojnë të mirët.

[15] Këto fjalë do i thotë Allahu në ditën e Gjykimit idhujtarëve dhe mohuesve prej njerëzve dhe xhinëve; si qortim ndaj tyre për rrugën e gabuar që ndoqën në dynja, megjithëse Allahu i kishte dërguar atyre lajmëtarë të Tij nga vetë mesi i tyre, me prova të qarta dhe shpallje nga Allahu, me qëllim që t’i sqaronin fenë dhe ligjet e Allahut dhe t’i paralajmëronin për llogarinë që do të jepnin para Allahut në ditën e Gjykimit, dhe për ndëshkimin apo shpërblimin që i priste për shkak të veprave të tyre. Allahu dërgoi profetë te njerëzit nga vetë njerëzit, kurse për profet nga xhinët ka mospajtim mes dijetarëve, ku mendimi më i saktë është se prej tyre nuk janë derguar profet nga Allahu, por disa xhinë kanë dëgjuar Kuranin nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe ata ishin lajmëtarë dhe paralajmërues të popullit të tyre prej xhinëve, siç ka ardhur në suren El Xhinn.

[16] Dëshmojmë se të dërguarit na erdhën, na e bënë të qartë besimin dhe rrugën e drejtë dhe na paralajmëruan për ndëshkimin që na priste nëse nuk do i dëgjonim, por ne i përgënjeshtruam ata dhe e mohuam shpalljen me të cilën kishin ardhur.

[17] Dërgimi i profetëve nga Allahu.

[18] Ndërgjegjësimi i njerëzve për të kuptuar drejt dhe qartë idhujtarinë dhe besimin e saktë, si dhe vetëdija për atë që i pret për shkak të veprës së tyre, është kusht që Allahu ta shkatërrojë vendin e idhujtarëve, dhe për të plotësuar këtë kusht, Allahu ka dërguar profetët e Tij, nga vetë mesi i njerëzve.

-144-


  1. Secili do të ketë shkallën e vet, sipas asaj që ka vepruar.[1] Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veprojnë.[2]
  2. Zoti yt është i Pasuri dhe Zotëruesi i mëshirës.[3] Nëse do, Ai ju zhduk ju, dhe sjell pas jush çfarë të dojë,[4] ashtu si ju ka krijuar ju nga pasardhës të popujve të tjerë.[5]
  3. Ajo me të cilën kërcënoheni, patjetër që do të vijë, e ju nuk mund t’i shpëtoni (Zotit).[6]
  4. Thuaj: “O populli im! Vazhdoni të punoni në drejtimin tuaj,[7] edhe unë do të punoj,[8] dhe së shpejti do ta merrni vesh se për kë do të jetë fundi i mirë.[9] Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë.[10]
  5. Nga ato që ka krijuar Allahu prej të lashtave dhe kafshëve shtëpiake, ata caktuan një pjesë për Allahun, dhe thanë: “Kjo është për Allahun, sipas hamendjes së tyre, ndërsa kjo është për idhujt tanë.” Mirëpo ajo pjesë që ishte për idhujt e tyre, nuk arrinte te Allahu, kurse ajo që ishte për Allahun, arrinte te idhujt e tyre. Sa shëmtuar që gjykojnë![11]
  6. Madje, shumë idhujtarëve, idhujt e tyre[12] ua kanë bërë t’u duket e bukur vrasja e fëmijëve të vet,[13] për t’i shkatërruar dhe për t’ua pështjelluar besimin.[14] Sikur të donte Allahu, ata nuk do ta bënin këtë, por lëri ata dhe trillimet e tyre.[15]

[1] Secili do të ketë shkallën dhe vendin apo gradën e vet në botën tjetër, sipas veprave që ka bërë në këtë botë.

[2] Zoti regjistron gjithçka që veprojnë njerëzit në këtë botë, për t’i shpërblyer në botën tjetër me atë që meritojnë.

[3] Zoti yt, o Muhamed, që i urdhëroi robët e Tij me ato që i urdhëroi, dhe i ndaloi nga ato që i ndaloi, për të shpërblyer secilin sipas asaj që veproi në dynja, është i Pasuri, që nuk ka nevojë për krijesat e Tij apo veprat e tyre, por ato kanë nevojë për të dhe mëshirën e Tij, sepse jeta dhe vdekja e tyre, furnizimi dhe fuqia e tyre, e mira dhe e keqja e tyre, gjithçka është në Dorë të Tij. Pra, Allahu nuk i krijoi krijesat e Tij për ndonjë nevojë që kishte prej tyre apo prej veprave të tyre, por i krijoi me qëllimin që të derdhte mbi ta mëshirën e Tij, që t’i shpërblente me mirësi të pafundme për bindjen ndaj Tij dhe përpjekjen e tyre në kërkim të arritjes së kënaqësisë së Tij.

[4] Krijesa të tjera ose popuj të tjerë.

[5] Apo pas krijesave të tjera që kanë qenë para jush në Tokë. Pra, Allahu nuk ka nevojë për ju apo për ndonjë krijesë tjetër, dhe nëse do, ju zhduk ju dhe sjell krijesa të tjera, prandaj bëhuni krijesa që i binden Krijuesit të tyre dhe përpiquni të arrini kënaqësinë e Tij, sepse ju e dini tashmë se jeta juaj në këtë botë është e përkohshme dhe pas jush do të vijnë breza të tjerë, kurse bota tjetër është e përhershme dhe reale, kështu që përgatisni për veten tuaj.

[6] I drejtohet idhujtarëve që i bëjnë Allahut shok, duke i thënë se ata nuk mund t’i shpëtojnë Allahut duke ikur apo duke u fshehur nëpër tokë, sepse kudo që të shkojnë, ata janë në pëllëmbën e Tij, dhe Ai ka fuqi që t’i ndëshkojë në çdo çast për veprat e tyre të këqia; prandaj kthehuni te Zoti me pendim dhe bindjuni Atij para se tju vijë ndëshkimi i dhembshëm dhe i përjetshëm.

[7] Në rrugën tuaj të humbjes, idhujtarisë e mëkateve – Allahu i thotë Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) t’i drejtohet popullit të tij kurashit me këto fjalë me qëllim të kërcënimit dhe paralajmërimit, dhe jo për t’i aprovuar në atë që bëjnë, siç sqarohet në vijim.

[8] Kurse unë (Muhamedi) do të vazhdoj të bëj atë që më ka urdhëruar Zoti im.

[9] Kur ta shihni dënimin e Zotit tuaj, do ta merrni vesh se kush prej nesh do të ketë përfundimin e mirë në botën tjetër, dhe kush do të ketë përfundimin e keq.

[10] Ata që veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Allahut, nuk do të shpëtojnë nga dënimi, sado të kënaqen e të arrijnë në këtë botë.

[11] Allahu tregon këtu gjendjen e idhujtarëve përgënjeshtrues të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem): mendjelehtë, ëndërrimtarë dhe injorantë të mëdhenj. Kjo tregohet në shembujt që Allahu tregon në këtë ajet dhe në ajetet vijuese, për atë që vepronin ata, duke filluar me ndarjen e një pjese të të lashtave dhe kafshëve të buta mes Allahut dhe idhujve të tyre, si dhuratë apo kurban me qëllim të afrimit tek ata. Këtu përfshihen tre lajthitje të rënda: E para: Pretendimi se ata po i bëjnë mirë Allahut duke ndarë një pjesë të pasurisë së tyre si lëmoshë për Të, ndërkohë që Allahu është Ai që i furnizon dhe që i ka krijuar pasuritë e tyre, të mbjellat dhe kafshët; E dyta: Shoqërimi i idhujve të tyre me Allahun duke i bërë pjesë atyre në këtë pasuri, ndërkohë që idhujt nuk krijojnë asgjë dhe nuk furnizojnë askënd; E treta: Gjykimi i tyre padrejtë dhe i shëmtuar kur marrin nga pjesa e Allahut për të plotësuar pjesën e idhujve, por nuk marrin nga pjesa e idhujve për të plotësuar pjesën e Allahut, sepse Allahu nuk ka nevojë, kurse idhujt janë të varfër! Kjo, sepse ata e caktonin pjesën e Allahut apo të idhujve që në fillim të mbjelljes së arave, apo mbarsjes së kafshëve, dhe nëse ndodhte ndonjë thatësisë gjatë kultivimit apo lindjes së kafshëve në pjesën e idhujve, ata e plotësonin me pjesën që kishin caktuar për Allahun, dhe nëse mangësia ndodhte në pjesën e Allahut, ata nuk e plotësonin me pjesën e caktuar për idhujt. Pra, ata i kushtonin përkujdesje të veçantë pjesës së idhujve, dhe neglizhonin me pjesën e Allahut, megjithëse Ai i ka krijuar ata dhe pasuritë e tyre. Padyshim se Allahu nuk pranon asgjë prej zekatit apo kurbanit që nuk bëhet me sinqeritet vetëm për Hir të Tij, pa i shoqëruar askënd dhe asgjë, por këta idhujtarë mendjelehtë, edhe pse i shoqërojnë Allahut shok në lëmoshat dhe kurbanet e tyre, përsëri bëjnë hile dhe anojnë nga idhujt që nuk i sjellin asnjë të mirë dhe nuk kanë asnjë fuqi që t’i dëmtojnë; A nuk janë mendjelehtë dhe injorantë të mëdhenj, dhe a nuk është i shëmtuar gjykimi i tyre?!

[12] Prej djajve.

[13] Varrosja e vajzave të tyre të gjalla nga frika e turpërimit, dhe vrasja e djemve nga frika e varfërisë.

[14] Që të humbin nga rruga e drejtë dhe të shkatërrohen për shkak se vepronin atë që kishte ndaluar Allahu.

[15] Se ata nuk e meritojnë udhëzimin, por do të marrin atë meritojnë për shkak të trillimit dhe shpifjes që bëjnë për Allahun.

-145-


  1. Ata thonë: “Këto bagëti dhe këto të korra janë të ndaluara,[1] nuk mund t’i hajë askush, përveç atyre që ua lejojmë ne”, sipas hamendjes së tyre.[2] Disa kafshë shtëpiake i kanë bërë të ndaluara për ngarkim,[3] ndërsa të tjera i therin pa e përmendur emrin e Allahut, duke trilluar kundër Tij.[4] Ai do t’i ndëshkojë ata për ato që trillonin.
  2. Ata thonë gjithashtu: “Ajo që gjendet në barkun e këtyre bagëtive,[5] është vetëm për meshkujt tanë, kurse për gratë është e ndaluar”. Por, nëse lind i ngordhur, atëherë të gjithë ata (burra e gra) janë ortakë në të”[6]. Ai do t’i ndëshkojë ata për përshkrimin e tyre të rremë.[7] Vërtet, Ai është i Urtë, i Gjithëdijshëm.[8]
  3. Kanë humbur ata që i vrasin fëmijët e tyre[9] nga mendjelehtësia,[10] pa pasur dije,[11] dhe i bëjnë të ndaluara ato që u ka dhuruar Allahu, duke shpifur ndaj Allahut. Ata kanë devijuar dhe nuk kanë qenë aspak të udhëzuar.[12]
  4. Është (Allahu) Ai që ka krijuar kopshte me pemë të ngritura në vreshta dhe të pangritura,[13] hurmën dhe të mbjellat me fryte të ndryshme, ullirin dhe shegën, të ngjashme dhe të ndryshme.[14] Hani nga frytet e tyre[15] kur të prodhojnë dhe jepni atë që është detyrë në ditën e vjeljes së tyre![16] Por mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë![17]
  5. Kurse nga bagëtitë ka krijuar disa që ngarkohen dhe disa që nuk ngarkohen.[18] Hani nga ato që ju ka dhuruar Allahu dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse vërtet, Ai është armik i hapur për ju.[19]

[1] Bagëti dhe të korra të caktuara; ato që i kishin caktuar për idhujt dhe për Allahun, si në ajetin para këtij, ose ato që i kishin emëruar me emra të posaçëm: Saibeh, Uasijleh, Behirah, Ham, që përmenden në Suren el Maide, 103.

[2] Pa pasur asnjë provë apo bazë ku mbështeten, përveç hamendjes dhe logjikës së tyre të prishur.

[3] Ndalojnë vetëm shpinën e saj për ngarkim apo hipje, kurse përfitimet e tjera të saj i lejojnë, si qumështi apo pjella, dhe këto i quajnë “el Ham”.

[4] Duke thënë se këto i ka ndaluar Allahu.

[5] E bagëtive të caktuara nga vetë ata, dhe që i quanin Saibeh dhe Behirah. Ajo që gjendet në barkun e bagëtive përfshin viçin dhe qumështin.

[6] Në ngrënien e mishit të asaj që lind e ngordhur.

[7] Duke cilësuar të ndaluarën të lejuar, dhe të lejuarën të ndaluar, në kundërshtim me ligjin e Allahut, madje duke ia veshur këtë gjë Allahut.

[8] Allahu vepron me urtësinë dhe dijen e Tij absolute në krijesat e Tij, dhe nuk i shpëton asgjë.

[9] Kanë humbur fenë, fëmijët dhe mendjet e tyre.

[10] Nga mendja e mangët, ëndërrimi dhe nënvlerësimi i dëmit të asaj që bënin dhe ndëshkimit të madh që i priste.

[11] Pa pasur dije të sigurtë nga Allahu për atë që bënin, por duke ndjekur frymëzimin e djajve.

[12] Kanë humbur nga rruga e drejtë dhe e vërtetë, dhe madje as para këtyre veprave që përmenden më sipër, ata nuk kanë pas vepruar asnjë vepër të mirë dhe nuk kanë qenë në rrugë të drejtë.

[13] Nuk janë idhujt, por është Allahu Ai që ju furnizon dhe që ju ka dhuruar të gjitha të mirat; Ka krijuar për ju kopshte me bimë e pemë kacavjerrëse për të cilat ju ka mësuar të ngrini vreshta, dhe kopshte me bimë e pemë që shtrihen nëpër tokë apo që rriten të egra.

[14] Të ngjashme në pamje dhe formë, por të ndryshme në shije, megjithëse vaditen me të njëjtin ujë dhe rriten në të njëjtën tokë!

[15] Si mirësi dhe dhuratë nga Allahu për ju. Ushqehuni me to dhe shijoni të mirat e Zotit tuaj që i ka krijuar për ju.

[16] Në ditën e vjeljes së frutave apo korrjes së të mbjellave është detyrë të jepet Zekati i tyre për të varfërit, që është 10% për të mbjellat që rriten pa vaditje nga njeriu, ose 5% për ato që rriten me vaditje dhe kultivim.

[17] Mos e teproni në ngrënien mbi normalen! Mos e teproni në ngrënien e të vjelave dhe të korrave para nxjerrjes së Zekatit me qëllim që të pakësohet sasia e Zekatit! Mos e teproni në nxjerrjen e Zekatit në sasi më të madhe nga ajo që detyroheni, që të mos dëmtoheni vetë! Allahu ka ndaluar dhe urren çdo lloj teprimi.

[18] Nga bagëtitë, Allahu ka krijuar disa që ngarkohen dhe që hahen, si deveja, apo që ngarkohen por nuk hahen, si gomari, dhe të tjera që nuk mund të ngarkohen por që hahen, si delja apo dhia.

[19] O besimtarë, hani nga ato që ju ka dhuruar Allahu dhe që i ka bërë hallall për ju, duke jua sqaruar mirë dhe qartë në Kuran dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij, dhe mos ndiqni gjurmët e djallit dhe t’i ndaloni vetes të mirat e Allahut, e të shpifni për Allahun gjëra të paqena, sepse djalli është armiku juaj i hapur dhe i betuar, dhe ai kërkon tju çojë në humbje dhe në zjarr.

-146-


  1. Krijoi tetë çifte bagëtish;[1] Dy nga dhentë dhe dy nga dhitë. Thuaju:[2] “A i ka ndaluar Allahu dy meshkujt apo dy femrat, apo atë që mbajnë në bark dy femrat?” Më tregoni me dije të saktë, nëse jeni të sinqertë![3]
  2. Po kështu, dy (çifte) nga devetë dhe dy nga lopët. Thuaju: “A i ka ndaluar Allahu dy meshkujt apo dy femrat, apo atë që e mbajnë në bark dy femrat? A mos keni qenë të pranishëm[4] kur Allahu ju ka porositur për këtë?[5] Atëherë, kush është më i padrejtë se ai që shpif gënjeshtra për Allahun, për t’i çuar njerëzit në humbje,[6] pa pasur dije? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.[7]
  3. Thuaj[8]: “Në atë që më është shpallur mua,[9] unë nuk gjej asgjë të ndaluar[10] nga ushqimi që hahet, përveç nëse është kafshë e ngordhur, gjak i derdhur apo mish derri – se këto janë të ndyta –,[11] dhe përveç mishit që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut.[12] Por kushdo që detyrohet të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të ndaluarën[13] dhe pa e kaluar kufirin,[14] atëherë padyshim se Zoti yt është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[15]
  4. Ne ua ndaluam hebrenjve (posaçërisht) të gjitha kafshët njëthundrake,[16] ndërsa nga lopët e delet, u ndaluam dhjamin e tyre, me përjashtim të dhjamit të shpinës ose të brendshmeve, ose atij që është i ngjitur me kockën.[17] Kështu i ndëshkuam ata për shkak të mosbindjes së tyre. Pa dyshim, Ne themi të vërtetën.[18]

[1] Këtu sqarohen bagëtitë që Allahu ka krijuar për ngarkim dhe ngrënie, dhe se ato janë tetë çifte: Dy nga dhentë (mashkulli dhe femra), dy nga dhitë (mashkulli dhe femra), dy nga devetë (mashkulli dhe femra) dhe dy nga lopët (mashkulli dhe femra). Qëllimi është qortimi i idhujtarëve dhe nxjerrja në dukje e injorancës dhe gënjeshtrës së tyre ndaj Allahut kur bëjnë të ndaluara disa lloje bagëtish me cilësi të caktuara pa u bazuar në ndonjë provë apo argument nga Allahu, por vetëm nga mendja e tyre dhe nga frymëzimi që marrin nga djajtë që adhurojnë dhe që i çojnë në lajthitje dhe humbje të logjikës.

[2] Thuaju idhujtarëve, o Muhamed, atyre të cilëve trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut duke thënë se ato kafshë që ata ia ndalojnë vetes apo grave të tyre, janë të ndaluara nga Allahu, por që në fakt ato ia kanë ndaluar djajtë që ata adhurojnë në vend të Allahut dhe që i kanë marrë mendjen dhe logjikën, përndryshe çfarë përgjigje do të japin për këto pyejte logjike që Allahu i thotë profetit të Tij tjua drejtojë atyre.

[3] Ata nuk mund të përgjigjen këtu, sepse nëse do të thonin: “Ka ndaluar dy meshkujt (deshtë dhe cjepët)”, do të kundërshtonin veten, sepse ata hanë prej tyre, dhe po kështu hanë prej dy femrave (deleve dhe dhive), dhe hanë gjithashtu prej atyre që lindin nga dy femrat, qofshin meshkuj apo femra. Atëherë çfarë është ajo që ndalojnë dhe ku mbështeten në cilësimin e kafshëve që i ndalojnë vetes, veçse nga djalli i mallkuar që ata adhurojnë?!

[4] O idhujtarë injorantë, mendjelehtë e gënjeshtarë!

[5] Për atë që thoni, në lidhje me bagëtitë që thoni se i ndaluar Allahu.

[6] Duke i ndaluar nga rruga e drejtë.

[7] Nuk i jep sukses që të marrin rrugën e drejtë të udhëzimit atyre që nuk kanë qëllim tjetër përveç padrejtësisë, pengimit të njerëzve nga rruga e drejtë dhe shpifjes ndaj Allahut; që i bëjnë shok Allahut, dhe që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).

[8] Thuaju, o Muhamed, atyre idhujtarëve që ndanë një pjesë të kafshëve dhe të mbjellave për Allahun dhe një pjesë për idhujt e tyre, dhe që bëjnë të ndaluara lloje të caktuara të kafshëve për gratë e të lejuara për burrat, apo që ndalojnë ngarkimin e disa kafshëve dhe nuk përmendin emrin e Allahut në disa të tjera, duke shpifur gënjeshtër ndaj Allahut dhe që nuk kanë asnjë lloj prove apo shpallje nga Allahu, thuaju atyre se çfarë të ka shpallur Allahu vërtetë në lidhje me ushqimet dhe kafshët e ndaluara apo të lejuara.

[9] Në Kuran dhe Sunet.

[10] Nga këto që thoni ju, o idhujtarë!

[11] Allahu i ka ndaluar njeriut vetëm të ndytat prej kafshëve dhe ushqimeve, të cilat e dëmtojnë njeriun dhe shëndetin e tij nëse i konsumon. Pra, ndalimi është i logjikshëm dhe për të mirën e njeriut, dhe jo pa asnjë arsye apo shkak.

[12] Që është therur nga një pagan apo idhujtar në emër të idhujve që adhurojnë në vend të Allahut. Kjo e therur është idhujtari dhe paganizëm, dhe Allahu e ka bërë të ndaluar atë për besimtarët, dhe kjo futet në rangun e të ngordhtës. Në fakt, idhujtarët që polemizonin me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), e quanin të lejuar të ngordhtën duke thënë se atë e ka therur Allahu, kurse ato që Allahu i lejonte, ata i quanin të ndaluara, duke përmbysur realitetin.

[13] Jo se i pëlqen të shijojë të ndaluarën.

[14] Por vetëm sa për të kaluar urinë, që të mos vdesë urie.

[15] Allahu do e falë dhe nuk do e dënojë atë për ngrënien e të ndaluarës në këtë rast, sepse ia ka lejuar nga Mëshira e Tij.

[16] Kafshët apo shpendët që kanë një thundër, ose që i kanë gishtat të pandara nga njëri-tjetri, si deveja, struci, pata, etj.

[17] I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Allahu i vraftë hebrenjtë! Atyre iu ndalua dhjami, kurse ata e shkrinë, e shitën dhe hëngrën vlerën e fituar prej tij.” [Buhariu dhe Muslimi].

[18] Dhe nuk fshehim asgjë nga e vërteta. Allahu nuk ka ndaluar asnjë ushqim përveç atyre që u përmendën më lart, kurse ato që pretendojnë idhujtarët se i ka ndaluar Allahu, janë trillime të tyre. Po, është e vërtetë se më parë, para se të vinte Muhamedi dhe Kurani, Allahu i kishte ndaluar hebrenjve ngrënien e disa kafshëve të caktuara si dhe dhjamin e lopës dhe të deles, por ky ishte një lloj ndëshkimi i posaçëm për ta, për shkak të mëkatëve dhe mosbindjes së tyre, dhe jo se këto kafshë janë të ndaluara nga Allahu për njerëzit. Madje edhe hebrenjtë shpifën ndaj Allahut dhe ndaj Israilit (Jakubit), duke pretenduar se këto kafshë dhe dhjamin, i kanë të ndaluara për shkak se Israili ia bëri të ndaluara vetes së tij, por e vërteta është se Allahu ua ndaloi ato atyre si ndëshkim për shkak të mosbindjes, dhe Allahu thotë të vërtetën, kurse ata, hebrenjtë dhe idhujtarët gënjejnë.

-147-


  1. E nëse ata[1] të përgënjeshtrojnë, thuaju: “Zoti juaj ka mëshirë të gjerë, por ndëshkimi i Tij nuk do të prapësohet nga populli keqbërës.”[2]
  2. Idhujtarët do të thonë:[3] “Sikur të donte Allahu, nuk do të adhuronim tjetër veç Tij, as ne as baballarët tanë, dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë.”[4] Kështu përgënjështruan edhe ata para tyre, derisa shijuan dënimin tonë.[5] Thuaju: “A keni ndonjë dije të na e prezantoni?[6] Jo! Por ju mbështeteni vetëm në hamendje dhe nuk bëni tjetër, veçse supozoni.”[7]
  3. Thuaju: “Allahu ka argumentin e pakundërshtueshëm[8] dhe, sikur të donte Ai, do ju kishte udhëzuar të gjithëve në rrugë të drejtë!”[9]
  4. Thuaju: “Sillni dëshmitarët tuaj që dëshmojnë se Allahu e ka ndaluar këtë!”[10] E, nëse dëshmojnë (rrejshëm), ti mos dëshmo me ata.[11] Mos i ndiq prirjet e atyre që përgënjeshtrojnë provat Tona, që nuk besojnë në Botën tjetër dhe që i bëjnë shok Zotit të tyre![12]
  5. Thuaju:[13] “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka ndaluar vërtetë Zoti juaj: Të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); të silleni mirë me prindërit;[14] të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë,[15] sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapura apo të fshehura,[16] dhe të mos e vrisni atë njeri që Allahu e ka ndaluar,[17] përveçse kur e kërkon drejtësia.[18] Këto janë ato që ju ka porositur Ai, në mënyrë që të kuptoni.”[19]

[1] Hebrenjtë dhe idhujtarët.

[2] Për të gjitha krijesat e Tij. Nuk e nxiton ndëshkimin kundër atyre që e mohojnë Atë, nga mëshira e Tij e gjerë që ka për të gjithë, por megjithatë, ndëshkimin e Tij kundër keqbërësve mohues e idhujtar, nuk mund ta kthejë asgjë kur Ai ta lëshojë atë mbi ta me zemërimin e Tij.

[3] Pasi iu bë e qartë e vërteta dhe mësuan se ajo që bënin ishte e pavërtetë dhe e palogjikshme, madje shkatërruese për ta, ata përsëri nuk iu nënshtruan të vërtetës por vazhduan ta luftojnë atë me prova të paqëndrueshme dhe fjalë që nuk do i shpëtojnë.

[4] “Allahu është i kënaqur me idhujtarinë tonë dhe ndalesat që ne bëjmë për ushqime të caktuara, përndryshe do të na kishte ndaluar me fuqinë e Tij dhe do të na kishte udhëzuar në njësimin e Tij dhe besimin e vërtetë.” Kështu argumentohen idhujtarët dhe keqbërësit kur janë në kulmin e keqbërjes së tyre, por shumë shpejt do iu vijë ajo që meritojnë nga Allahu, dhe kjo fjalë e tyre nuk do i ndihmojë aspak, ashtu si i ka ardhur dënimi të gjithë idhujtarëve që kanë qenë më parë dhe kanë thënë të njëjtat fjalë. Kështu që merrni mësim dhe kthehuni, e mos vazhdoni të ndiqni rrugën që ju çon në humnerë, edhe pse e mësuat mirë se ajo rrugë të çon në humnerë.

[5] Deri sa na zemëruan dhe atëherë derdhëm mbi ta zemërimin Tonë, iu zbritën dënimin tonë të ashpër, të cilin e shijuan mirë, dhe kështu që humbën dhe u shkatërruan në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo i pret edhe këta që ndjekin rrugën e atyre që kanë qenë më parë, në rast se nuk kthehen dhe nuk të besojnë ty dhe atë që të është shpallur nga Zoti, o Muhamed!

[6] A keni ndonjë dije dhe provë që vërteton këtë që thoni për Allahun, se Ai e ka pëlqyer idhujtarinë dhe ndalimin e ushqimeve që ju bëni, që të na e prezantoni dhe të na e sqaroni ashtu si ju sqaruam juve pavërtetësinë e fjalës dhe veprës suaj, si dhe kundërshtimin që i bëni logjikës dhe shpalljes së Allahut?

[7] Shpifni për Allahun me supozim dhe hamendje, pa pasur dije të sigurtë dhe provë të qartë.

[8] Allahu ka argumentin e plotë dhe të pakundështueshëm për çdo gjë që kërkon të vërtetojë, sepse Ai është Krijuesi dhe di gjithçka, kurse ju, o idhujtarë, nuk keni asnjë provë dhe asnjë argument, se përndryshe do e sillnit.

[9] Do ju jepte sukses të udhëzoheshit të gjithë në bindjen ndaj Tij, por nuk  e deshi këtë, sepse kjo është bota e sprovës, dhe Allahu bën çfarë të dojë, e askush nuk mund ta pyes e t’i kërkojë llogari, por njerëzit janë ata që do iu kërkohet llogari.

[10] Ato që idhujtarët ndalojnë prej kafshëve dhe ushqimeve.

[11] Allahu këtu i drejtohet të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), por janë për qëllim shokët e tij dhe besimtarët.

[12] Por ndiq atë që të është shpallur nga Zoti yt, Kuranin, i cili është i vërtetë dhe i pandryshueshëm.

[13] Atyre idhujtarëve që ndalojnë ato që Allahu i ka lejuar.

[14] Ju ka urdhëruar të silleni mirë me prindërit dhe ju ka ndaluar nga mos-sjellja mirë me ta, apo shfryrja ndaj tyre.

[15] Për shkak të frikës nga varfëria, të cilën jua fut djalli. Allahu thotë: “Shejtani ju kërcënon me varfëri…” [El Bekare, 268].

[16] Veprat e turpshme janë mëkatet e mëdha që quhen turp, si imoraliteti dhe kurvëria. Allahu nuk ka ndaluar vetëm veprat e turpshme, por ka ndaluar afrimin ndaj tyre dhe rrugët që të çojnë drejt tyre, qoftë haptazi apo fshehtazi, në publik apo në vetmi, me vepër apo me mendje dhe zemër.

[17] Allahu e ka ndaluar vrasjen e muslimanit, mashkull apo femër, vepërmirë apo mëkatar qoftë, si dhe vrasjen e jomuslimanëve me të cilët muslimanët kanë marrëveshje paqeje dhe sigurie, qofshin në vendet e muslimanëve apo në vendet e jomuslimanëve.

[18] Siç është vrasësi me paramendim, që duhet të vritet; ai që shkel kurorën e martesës duhet të vritet, dhe ai që lë fenë (dezerton) dhe ndahet nga uniteti i muslimanëve, duhet të vritet.

[19] Ta kuptoni porosinë ashtu si duhet, ta ruani dhe ta zbatoni atë.

-148-


  1. Dhe mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë,[1] derisa ai të arrijë pjekurinë![2] Përmbusheni drejt matjen dhe peshimin;[3] Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësive që ka![4] Kur të flisni,[5] thoni të vërtetën, edhe nëse është kundër të afërmit tuaj! Dhe besën e dhënë Allahut plotësojeni![6] Këto janë ato që ju ka porositur Ai, në mënyrë që të kujtoni.[7]
  2. Dhe (thuaju) se kjo është rruga Ime e drejtë,[8] prandaj ndiqeni atë,[9] dhe mos ndiqni rrugët e tjera,[10] që ju shmangin nga rruga e Tij.[11] Këto janë ato që ju ka porositur Ai, në mënyrë që të ruheni.[12]
  3. Pastaj[13] Ne i kemi dhënë Musait Librin si plotësim (të mirësisë Sonë) për atë që vepron mirë,[14] si shpjegim për çdo gjë,[15] si udhëzues[16] dhe si mëshirë,[17] në mënyrë që ata (hebrenjtë) të besonin në takimin me Zotin e tyre.[18]
  4. Edhe ky Libër që kemi shpallur,[19] është i begatë,[20] prandaj ndiqeni atë dhe ruajuni,[21] në mënyrë që të mëshiroheni.[22]
  5. Që të mos thoni: “Libri i shenjtë i është shpallur vetëm dy grupeve para nesh,[23] ndërsa Ne ishim të panjohur me mësimet tyre.”[24]
  6. Apo të thoni: “Sikur Libri të na ishte shpallur neve, ne do të ishim më të udhëzuar se ata.” Ja pra, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj,[25] udhëzues[26] dhe mëshirë![27] Atëherë, kush është më i padrejtë se ai që i përgënjeshtron provat e Allahut[28] dhe i shmanget atyre?[29] Ne, do t’i ndëshkojmë me dënimin më të rëndë[30] ata që i shmangen provave Tona, për shkak të shmangies që bënin.[31]

[1] Veçse për ta ruajtur nga humbja, prishja apo dëmtimi, me anë të investimit dhe duke mbajtur shënim, pa mbajtur asgjë për vete nga fitimi. Lejohet gjithashtu që në rast të varfërisë ekstreme, të hash prej pasurisë së jetimit aq sa të plotësosh nevojën, dhe më pas tia kthesh.

[2] Derisa të arrijë pjekurinë mendore dhe jo vetëm atë seksuale (pubertitetin); deri sa kujdestari të shohë se jetimi është pjekur dhe mund ta kontrollojë dhe administrojë vetë pasurinë e tij, pa e shpërdorur atë.

[3] Mos hani në përmasë apo në peshojë.

[4] Përderisa përpiqesh që ta përmbushësh saktë dhe drejt matjen dhe peshojen, për të mos e dëmtuar as blerësin as veten, dhe padashje ndodh ndonjë gabim apo mangësi e paqëllimshme, Allahu e fal atë, sepse Allahu nuk ngarkon askënd mbi mundësitë e tij.

[5] Të dëshmoni apo gjykoni mes njerëzve.

[6] Duke ju bindur urdhrave të Tij dhe duke ju larguar ndalesave të Tij; në zbatim të Librit të Tij dhe Traditës së të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem). Ky është plotësimi i besës së dhënë Allahut.

[7] Të kujtoni porositë dhe urdhrat që ju ka sqaruar Allahu, dhe t’i zbatoni ato në mënyrën më të mirë. Të kujtoni gjithashtu përfundimin që do të keni si rezultat e veprave tuaja të gabuara, në mënyrë që të largoheni prej tyre dhe të ktheheni në bindjen ndaj Zotit tuaj.

[8] Porositë e përmbledhura në këto tre ajete (151, 152, 153), janë Rruga e drejtë e Allahut dhe feja që Ai ka zgjedhur për robët e Tij; rruga që të çon te Allahu dhe te banesa e bujarisë së Tij, në xhenet. Këto janë gjithashtu dhjetë porositë që janë përmendur në Librin e Musait (alejhis selam), në Teurat. Ibën Abasi (Radiallahu anhu) thoshte se këto janë Ajetet plotësisht të kuptueshme, Baza e Librit, që përmenden në ajetin 7, të sures Al Imran.

[9] Që të shpëtoni nga zjarri dhe dënimi i Allahut, dhe të fitoni Xhenetin dhe kënaqësinë e Allahut.

[10] Mos ndiqni asnjë rrugë tjetër përveç rrugës së drejtë të Allahut, dhe mos kërkoni asnjë fe tjetër përveç Islamit, fesë së Allahut, dhe fesë së të gjithë profetëve të Allahut.

[11] Sepse të gjitha rrugët e tjera të çojnë në humbje dhe në zjarrin e Xhehenemit. Ibën Mesudi (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) bëri një vizë të drejtë në tokë, dhe tha: “Kjo është rruga e Allahut.” – Pastaj bëri disa viza nga e djathta dhe nga e majta e vizës së drejtë, dhe tha: “Këto janë rrugët e tjera. Në krye të çdonjërës prej tyre qëndron një shejtan, i cili fton njerëzit që ta ndjekin atë.” – Pastaj lexoi këtë ajet: “Dhe se kjo është rruga Ime e drejtë…”. Hadithi është i saktë. E ka nxjerrë Darimiu, e të tjerë.

[12] Të ruani vetet tuaja nga zemërimi i Allahut, duke zbatuar urdhrat e tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, dhe nëse i bëni këto, atëherë jeni bërë prej të devotshmëve të shpëtuar.

[13] Përveç këtyre që u përmendën; apo pasi i kishim shpallur Musait më parë këto dhjetë urdhëresat; apo pas këtyre urdhëresave thuaju atyre idhujtarëve…

[14] Nga populli i Musait. Allahu u pat dhënë të mira të shumta besimtarëve që i besonin Musait, ku ndër të tjera dhe si plotësim i mirësisë së Allahut ndaj tyre, ishte dhënia e Teuratit, për të cilën ata duhet të falënderonin Allahun.

[15] Nga çështjet e fesë me të cilat ishin urdhëruar.

[16] Në rrugën e Drejtë të Allahut.

[17] Si mëshirë nga Allahu, për t’i shpëtuar nga humbja dhe zjarri.

[18] Dhe se do të jepnin llogari për veprat e bëra në këtë botë, kështu që të përgatiteshin për llogarinë para Allahut.

[19] Kurani, që i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[20] Në të ka mirësi të mëdha dhe dije pa fund.

[21] Zbatoni Kuranin dhe ruajuni ndëshkimit të Allahut në mos-zbatimin e tij; mos kaloni kufijtë dhe mos shkelni ndalesat e tij; kënaquni me atë që ka lejuar dhe largojuni asaj që ka ndaluar.

[22] Të fitoni mëshirën e Allahut dhe të shpëtoni nga ndëshkimi i Tij. Shkaku më i madhë për të arritur mëshirën e Allahut është pikërisht ndjekja e Kuranit; mësimi dhe zbatimi i tij.

[23] Hebrenjve dhe të krishterëve.

[24] Nuk dinim asgjë për Librin e tyre dhe mësimet që ata merrnin prej tij, sepse ai ishte i posaçëm për ta dhe në gjuhën e tyre. Por Allahu e preu këtë justifikim dhe argumentim të idhujtarëve kurashit me zbritjen e Kuranit mbi të dërguarin e Tij nga mesi i tyre, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).

[25] Kurani, Libër i qartë, në gjuhën e pastër arabe, provë e qartë nga Zoti juaj.

[26] Sqarues i të vërtetës dhe dallues i të vërtetës nga e pavërteta në Librat e mëparshëm.

[27] Për ata që e ndjekin dhe e zbatojnë atë.

[28] Shpalljet e Allahut dhe provat e Tij të qarta në Kuran dhe në Sunet, që vërtetojnë njësimin e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit, si dhe vërteësinë e asaj që i shpallej nga Allahu.

[29] Nuk i beson provat, nuk i nënshtrohet Allahut dhe pengon të tjerët nga besimi i tyre.

[30] Dënimin e Zjarrit të Xhehenemit, që Allahu ka përgatitur për mohuesit dhe idhujtarët nga krijesat e Tij.

[31] Dhe mospranimit të asaj me të cilën erdhi i Dërguari i tyre, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem).

-149-


  1. A mos vallë presin t’u vijnë engjëjt,[1] apo të vijë Zotit yt,[2] apo të vijnë disa shenja të Zotit tënd?[3] Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, askujt[4] nuk do t’i bëjë dobi besimi,[5] nëse nuk ka besuar më parë ose të ketë bërë ndonjë të mirë me besimin e tij![6] Thuaju: “Prisni, se edhe ne po presim!”.[7]
  2. Me të vërtetë, ti nuk ke asnjë lidhje me ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe.[8] Çështja e tyre është te Allahu, dhe Ai do t’u tregojë ato që kanë vepruar.[9]
  3. Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish,[10] ndërsa kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm për të,[11] dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.[12]
  4. Thuaj:[13] “Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit,[14] i cili nuk ka qenë prej idhujtarëve.”[15]
  5. Thuaj: “Me të vërtetë, namazi im, kurbani im,[16] jeta ime dhe vdekja ime,[17] i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.
  6. Ai nuk ka asnjë ortak.[18] Kështu jam urdhëruar[19] dhe unë jam i pari i muslimanëve.”[20]
  7. Thuaj: “A të kërkoj zot tjetër, përveç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?[21] Dëmi i veprës së secilit është vetëm kundër vetvetes,[22] dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.[23] Pastaj, të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë për ato që kundërshtoheshit.[24]
  8. Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë, dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët,[25] për t’ju provuar në atë që ju ka dhënë.[26] Vërtet, Zoti yt është i shpejtë në ndëshkim,[27] por Ai është vërtetë edhe Falës, Mëshirëplotë.”[28]

[1] A mos presin këta idhujtarë që polemizojnë me ty, o Muhamed, që të vijnë engjëjt e t’u marrin shpirtrat; pra t’u vijë vdekja.

[2] Në ditën e Kiametit, për gjykimin mes njerëzve.

[3] Lindja e Diellit nga perëndimi. Ebu Hurejra (radiallahu anhu), transmeton se i Dërguari i Allahut (salallau alejhi ue selem) ka thënë: “Kur të dalin tre gjëra, askujt nuk do i bëjë dobi besimi nëse nuk ka besuar më parë, apo të ketë bërë ndonjë të mirë me besimin e tij: Lindja e Diellit nga perëndimi, Dexhali dhe Kafsha e Tokës.” [Muslimi]. Në një hadith tjetër të transmetuar gjithashtu nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kiameti nuk do të bëhet derisa dielli të lindë nga perëndimi. Dhe kur dielli të lindë nga perëndimi, të gjithë njerëzit do të besojnë, por atëherë: “askujt nuk do i bëjë dobi besimi nëse nuk ka besuar më parë, apo të ketë bërë ndonjë të mirë me besimin e tij.” [Buhariu dhe Muslimi].

[4] Që ka qenë idhujtar apo mohues më parë.

[5] Kur të shohë vdekjen me sy, apo kur të shohë tmerret e ditës së Kiametit, duke filluar që me lindjen e Diellit nga perëndimi; sepse besimi në këtë çast nuk ka më vlerë dhe as kuptim, sepse nuk është më besim në të fshehtën dhe të padukshmen që ka shpallur Zoti, por është diçka që e sheh hapur dhe e provon në trup. Kjo është koha e shpërblimit për veprat e bëra deri në atë çast, dhe kjo është dita e paralajmëruar.

[6] Me besimin e saktë në Një Zot, me besimin në Kuran dhe në traditën Profetike të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[7] Dhe atëherë do të shihni se në anën e cilit prej nesh është e vërteta dhe kush do të ketë përfundimin e mirë, në Xhenet, dhe kush do të ketë përfundimin e keq, në Zjarr.

[8] Ata që e përçanë fenë e tyre ishin hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët përçanë fenë e Ibrahimit, fenë e Allahut, pra Islamin, duke marrë secili grup atë që i pëlqente prej fesë dhe duke e hedhur pjesën tjetër, dhe duke i vendosur emrin që dëshironin. Edhe bidatçinjtë (ata që ndjekin bidatet dhe risitë në fenë e Allahut dhe në traditën e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), duke nxjerrë sekte e bestytni të paqena, edhe këta janë përçarës të fesë së Allahut. Po kështu edhe idhujtarët, mexhusët dhe mohuesit, që të gjithë e kanë lënë fenë e Allahut dhe janë ndarë në grupe, duke ndjekur rrugët e djallit dhe rrugët e humbjes që të çojnë në Zjarr. Allahu i thotë të Dërguarit të Tij, se ai është i pafajshëm nga ajo që bëjnë ata, sepse ata të kundërshtuan dhe të luftuan ty.

[9] Allahu do të gjykojë mes tyre në ditën e Kiametit, dhe do i japë secilit atë që meriton sipas veprave që ka bërë në këtë botë.

[10] Kush bën një të mirë qoftë vepër apo fjalë, me trup apo me zemër, që lidhet me Allahun apo me krijesat e Tij, do të marrë shpërblimin dhjetëfish tek Allahu, dhe ky është shumëfishimi më i vogël, sepse mund të arrijë deri në shtatëqind fish apo pa llogari, e Allahu është më Bujari.

[11] Kjo tregon drejtësinë absolute të Allahut.

[12] Sepse Allahu nuk bën padrejtësi, dhe Ai është i Drejti.

[13] O Muhamed, thuaju idhujtarëve, hebrenjve dhe të krishterëve, si dhe të gjithë atyre që ndjekin fe tjetër përveç Islamit.

[14] Fenë e pastër dhe të drejtë Islame. Feja e Ibrahimit dhe e të gjithë profetëve të Allahut është Islami, feja e Allahut.

[15] Por ka qenë Njësues i Allahut, babai i profetëve; të gjithë profetët që erdhën pas tij, kanë qenë nga pasardhësit e tij, Ismaili dhe Is’haku.

[16] Të gjitha adhurimet e mira, ku më të mëdhatë janë namazi dhe kurbani; të cilat tregojnë për dashurinë e Allahut dhe sinqeritetin ndaj Tij, si dhe afrimin tek Ai me zemër, gjuhë, gjymtyrë dhe pasuri. Kush është i sinqertë në namazin dhe kurbanin që bën për Allahun, do të jetë i sinqertë në të gjitha veprat e tjera.

[17] Çfarë do që bëj në jetën time, dhe çfarë do që të ketë caktuar Allahu për mua në jëtë apo në vdekje.

[18] Në adhurim, sundim apo rregullim.

[19] Nga Allahu

[20] I pari i muslimanëve nga ky popull.

[21] Askush që ka logjikë nuk do e bënte këtë, prandaj logjikoni.

[22] Secili do të japë llogari për veprat e veta, dhe nëse bën një të keqe, nuk do të ngarkojë askënd tjetër përveç vetes.

[23] Askush nuk ngarkohet me gjynahet e tjetrit dhe nuk dënohet me krimet e tjetrit; por ju, o idhujtarë dhe mohues të Allahut, do të ndëshkoheni për veprat tuaja të këqia, kurse ne (Muhamedi, shokët e tij dhe besimtarët muslimanë të sinqertë) do të marrim shpërblimin e veprave tona të mira.

[24] Për të vërtetën e feve dhe besimeve që ndiqnit pasi kishit përçarë fenë e vërtetë dhe ishit ndarë në grupe.

[25] I ka ngritur me pasuri, fuqi, pushtet, shëndet, krijim (pamje), etj.

[26] Për të parë sa do të falënderojë ai që është ngritur në diçka prej mirësive të Allahut, dhe sa do të durojë ai që është privuar nga ndonjë mirësi e caktuar.

[27] Kundër atyre që e zemërojnë Atë me shkeljen e urdhrave dhe ndalesave të Tij, atyre që përgënjeshtrojnë provat e tij, dhe atyre që mohojnë mirësitë e Tij dhe nuk falënderojnë për to.

[28] Ndaj atyre që i besojnë Atij, bëjnë vepra të mira dhe pendohen e kërkojnë falje për veprat e këqia apo gabimet e tyre; Allahu e pranon pendimin e këtyre, i fal ata, i mëshiron dhe nuk i ndëshkon për veprat e këqia që kanë bërë, përderisa pendohen para se të takojnë Allahun dhe para se të mbyllet dera e pendimit.

-150-