SURJA AL IMRAN – FAMILJA AL IMRAN

Surja 3, Medinase, 200 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Elif, lam, mim.
  2. Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, të Përjetshmit[1], Mbajtësit të gjithçkaje[2]!
  3. Ai[3] të ka zbritur ty (Muhamed) Librin me të vërtetën[4], vërtetues të atyre para tij.[5] Ai e ka zbritur edhe Teuratin[6] dhe Inxhilin[7]
  4. më parë[8], si udhëzues për njerëzit[9], pastaj zbriti Furkanin[10]. Vërtet se ata që i mohojnë provat e Allahut,[11] do të kenë dënim të ashpër.[12] Allahu është i Poltfuqishëm, i Zoti për të marrë shpagim.[13]
  5. Pa dyshim se Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell![14]
  6. Është Ai që ju jep formë në mitra,[15] ashtu si dëshiron Vetë. Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij,[16] të Plotfuqishmit, të Urtit!
  7. Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë plotësisht të kuptueshme, e ato janë baza e librit,[17] kurse (ajete) të tjera janë jo plotësisht të kuptueshme[18]. Sa i përket atyre, të cilët kanë devijim nga e vërteta në zemrat e tyre,[19] ndjekin ato që janë jo plotësisht të kuptueshme prej tij[20], në kërkim të pështjellimit[21] dhe në kërkim të interpretimit të tyre, por interpretimin e tyre të vërtetë nuk e di veçse Allahu, dhe ata që janë thelluar në dije,[22] thonë: “E kemi besuar atë. Që të gjitha këto (ajete) janë nga Zoti ynë!”[23] Por nuk marrin mësim[24] veçse njerëzit që kanë mendje.
  8. “Zoti ynë![25] Mos na i shtrembëro zemrat[26] pasi na ke udhëzuar, dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Ti je Dhuruesi i Madh!”
  9. “Zoti ynë! Ti do t’i mbledhësh njerëzit në një ditë për të cilën nuk ka dyshim.[27] Pa dyshim, Allahu nuk e shkel premtimin.”

[1] I Cili zotëron jetë absolute, të përhershme, pa fillim dhe pa mbarim, dhe i Cili gëzon të gjitha cilësitë vetjake absolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[2] Vet-Ekzistuesi, i Cili mbahet Vetë dhe mban gjithçka që ka krijuar me jetë, furnizim dhe gjithçka që iu nevojitet. Është Ai që gëzon të gjitha cilësitë veprore apsolute që i përshtaten Madhështisë dhe Lartësisë së Tij, të cilat nuk i ngjajnë assesi cilësive të krijesave.

[3] Allahu, Zoti yt, o Muhamed, dhe Zoti i Isait, birit të Merjemes, Zoti i të gjithë pejgamberëve dhe i të gjitha krijesave, Mbajtësi i tyre, i Gjalli që nuk vdes por është i Përjetshëm dhe vepron me vullnetin e Vet gjithçka që dëshiron, me Urtësinë e Tij absolute.

[4] Allahu të ka shpallur ty, o Muhamed, Kuranin, i cili thotë të vërtetën për gjërat në të cilat ithtarët e Teuratit dhe Inxhilit kanë pasur kundërshtim.

[5] Librave dhe të dërguarve të mëparshëm të Allahut. Ajo që dëshmon Kurani për librat e mëparshëm qiellor është e vërtetë dhe ajo që ai hedh poshtë, është devijim nga ithtarët e tyre.

[6] Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[7] Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[8] Para zbritjes së Kuranit.

[9] Allahu i zbriti Librat e Tij me qëllim që të jenë udhëzim për njerëzit, por ata i ndryshuan ato me duart e tyre, iu pështjelluan shumë gjëra dhe patën kundërshti mes veti, e veçanërisht në lidhje me Isain, birin e Merjemes, për të cilin thanë se ishte biri i Zotit, apo i treti të treve, apo zot. Pastaj Allahu zbriti Furkanin, Dalluesin e të vërtetës nga e kota me prova të prera dhe argumente të hapura.

[10] Provën dhe dalluesin e të vërtetës nga e kota, Kuranin.

[11] Pasi iu bëhen të qarta dhe i mësojnë ato. Pasi mësojnë për zbritjen e Furkanit – Kuranit dhe nuk e besojnë atë.

[12] Të paërshkrueshëm dhe të pakrahasueshëm.

[13] Për ta ndëshkuar atë që i shkel ligjet  e Tij.

[14] Dija e Allahut është absolute dhe ajo përfshin gjithçka të madhe e të vogël, të dukshme e të padukshme, edhe se çfarë fjalësh thonë ithtarët e librit për Isain, birin e Merjemes.

[15] Secilit i jep formën dhe pamjen e vet, ngjyrën e lëkurës e të flokëve, gjininë, moshën që do jetojë, do jetë i mirë apo i keq. Allahu është Ai që i ka dhënë formë edhe Isait, birit të Merjemes.

[16] Allahu është i Pashoq në adhurim dhe i Pashembull në atribute. Askush nuk meriton të adhurohet përveç Tij, dhe Allahu nuk e pranon këtë dhe as nuk e fal kurrë. Kjo do të thotë se as Isai, biri i Merjemes nuk lejohet të adhurohet dhe nuk është i denjë për adhurim, por ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, është krijuar nga fjala e Allahut (bëhu) dhe nga shpirti që i ka dhënë Allahu.

[17] Tek të cilat kthehet çdo gjë e paqartë dhe me shumë kuptime. Të kësaj natyre janë shumica e ajeteve të Kuranit.

[18] Domethënien e tyre nuk e kuptojnë shumë njerëz, për shkak se domethënia e tyre është e përgjithshme, ose sepse u shkon në mendje diçka tjetër që nuk është për qëllim, etj.

[19] Zemrat e tyre anojnë nga e pavërteta dhe qëllimet e tyre janë prishur dhe synojnë vetëm të pavërtetën, humbjen dhe devijimin nga rruga e drejtë dhe nga arsyeja e shëndoshë.

[20] Lënë ajetet e qarta e të kuptueshme dhe ndjekin ato që nuk janë plotësisht të qarta, duke ua dhënë kuptimin sipas dëshirave dhe epsheve të tyre.

[21] Që të ngatërrojnë njerëzit e paditur dhe të fusin dyshime e pështjellime tek ata, dhe këto i bëjnë që t’u hedhin hi syve dhe të ndiqen e të pasohen prej tyre.

[22] Dijetarët kanë dy mendime në lidhje me lidhëzën “dhe”, në fjalën “dhe dijetarët”: a është kjo lidhëz nënrenditëse apo ftilluese? D.m.th: Interpretimin e ajeteve jo plotësisht të qarta, a e di Allahu dhe dijetarët e thelluar në dije, apo atë e di vetëm Allahu, ndërsa dijetarët thonë: “E kemi besuar atë…”? Shumica e dijetarëve janë të mendimit se lidhëza është ftilluese, d.m.th. pas saj fillon fjali e re që nuk renditet nën të parën. Kurse të tjerë thonë se lidhëza është nënrenditëse dhe se interpretimin e ajeteve jo të qarta plotësisht e dinë edhe dijetarët. E vërteta është se formulimi i tekstit i përmban të dyja këto, por sipas mendimit të parë, mohohet që dijetarët të dinë interpretimin e ajeteve jo plotësisht të kuptueshme, d.m.th. mohohet që dijetarët të dinë realitetin e tyre në esencë dhe jo domethënien e tyre, dhe këtu bëhet fjalë për ajetet që flasin më shumë për çështje të fshehta, si për shkronjat në fillim të sureve, për ngjarjet e ditës së Kiametit, për ajetet që flasin për cilësitë e Allahut, të cilave u dihet kuptimi por jo forma reale e tyre, gjë të cilën e di vetëm Allahu, sepse askush nuk e ka parë Atë, dhe ne lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që do ta shohin Atë në botën tjetër! Po kështu mund të themi edhe për mendimin e dytë dhe të harmonizojmë mes tij dhe të parit: që interpretimin e vërtetë dhe formën reale të atyre ajeteve nuk e di veçse Allahu, por domethënien e tyre e dinë edhe dijetarët sipas asaj që i ka mësuar Allahu: me kthimin e atyre jo plotësisht të kuptueshme te ato që janë plotësisht të kuptueshme.

[23] Dhe ato që janë nga Zoti nuk kanë kundërthënie mes njëra-tjetrës, por janë në harmoni me njëra-tjetrën dhe dëshmojnë për njëra-tjetrën.

[24] Prej këshillave dhe udhëzimeve të Allahut.

[25] Këto i thonë dijetarët.

[26] Mos na i shtrembëra zemrat nga e vërteta me injorancë dhe kokëfortësi nga ne, por na udhëzo dhe na jep qëndrueshmëri në të vërtetën.

[27] Pra, na i fal neve gjynahet tona dhe na i mbulo ato në atë ditë, ditën e llogarisë dhe të shpërblimit të secilit sipas veprave që ka bërë në dynja.

-50-

  1. Vërtet, atyre që mohojnë[1], nuk do t’u bëjnë aspak dobi tek Allahu, as pasuritë as fëmijët e tyre. Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit,
  2. ashtu si edhe njerëzit e Faraonit dhe ata që kanë qenë para tyre[2]. Ata i përgënjeshtruan provat Tona, prandaj Allahu i ndëshkoi ata për gjynahet e tyre. Allahu është i rreptë në ndëshkim.[3]
  3. Thuaju atyre që mohojnë[4]: “Ju do të mposhteni[5] dhe do të tuboheni në Xhehenem. E, sa gatitje e keqe është kjo![6]
  4. Ju[7] kishit provë të qarë në dy ushtritë që u ndeshën: njëra luftonte në rrugë të Allahut[8], kurse tjetra ishte mosbesimtare[9] dhe me sytë e tyre e shihnin se ishin dy herë sa ata.[10] Por, Allahu forcon kë të dojë me ndihmën e Vet.[11] Pa dyshim se në këtë (ngjarje) ka mësim për ata që kanë sy[12].
  5. Njerëzve u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, tonelatat e arit e argjendit, kuajt e bukur, bagëtitë dhe të mbjellat. Këto janë kënaqësitë e kësaj bote,[13] por tek Allahu është kthimi më i mirë.[14]
  6. Thuaju: “A t’ju tregoj gjëra më të mira se këto? Për ata që kanë qenë të devotshëm[15], tek Zoti i tyre do të kenë kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, bashkëshorte të pastra[16] dhe kënaqësi nga Allahu.[17]” E, Allahu i sheh robët e Vet,[18]

[1] Allahun, të Dërguarit e Tij, shpalljet e Tij.

[2] Prej popujve jobesimtarë.

[3] Ndaj atij që e mohon Atë dhe i përgënjeshtron të dërguarit e Tij, pasi t’u jetë bërë e qartë e vërteta me prova bindëse.

[4] Allahun, provat e Tij, të Dërguarit e Tij, e veçanërisht Muhamedin. Janë më shumë për qëllim hebrenjtë si dhe të krishterët.

[5] Në këtë botë nga ushtritë besimtare.

[6] Që keni gatitur me duart tuaja, me veprat tuaja dhe me mohimin tuaj.

[7] Allahu i thotë Pejgamberit të Tij, Muhamedit, që t’i thotë mohuesve prej jehudive që jetonin në Medine bashkë me të.

[8] Ushtria e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokëve e tij.

[9] Ushtria e idhujtarëve kurashit, të cilët dolën nga shtëpitë e tyre me kryelartësi e mburrje në sy të njerëzve, për të penguar njerëzit nga rruga e Allahut, dhe të dyja ushtritë u takuan në vendin e quajtur Bedër.

[10] Ushtria e idhujtarëve ishte shumëfish i ushtrisë besimtare në numër, dhe ata e shihnin këtë gjë me sytë e tyre.

[11] Dhe u jep triumf besimtarëve mbi mosbesimtarët, dhe kështu ndodhi në këtë luftë, në luftën e Bedrit.

[12] E mendje për të kuptuar e për të marrë mësim.

[13] Të cilat një pjesë e njerëzve i kanë bërë qëllim të tyre, dhe mendojnë e punojnë vetëm për arritjen e tyre, dhe për kënaqjen me to në mënyrë shtazore, dhe duke harruar qëllimin për të cilin janë krijuar. Kursa pjesa tjetër e njerëzve e mësuan realitetin e këtyre gjërave dhe se ato janë sprovë për njerëzit në këtë botë, për t’u përdorur ashtu si ka urdhëruar Allahu, për t’u ndihmuar me to në arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe për t’i dhënë përparësi kënaqësisë së Allahut mbi dëshirave e tyre.

[14] Për të devotshmit, tek Allahu ka gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe askush nuk i ka imagjinuar.

[15] Që i kishin frikën Allahut në dynja dhe iu bindën Atij, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[16] Të pastra nga gjërat e ndyta që kanë gratë në dynja, si të përmuajshmet, lehonia, etj, si dhe të paprekura.

[17] Të arriturit e kënaqësisë së Allahut është grada më e lartë e nderimit për banorët e xhenetit.

[18] Allahu sheh gjithçka që veprojnë njerëzit dhe i shpërblen sipas veprave të tyre.

-51-

  1. të cilët thonë: “Zoti ynë! Ne besojmë me të vërtetë[1], prandaj na i fal gjynahet tona[2] dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit![3]”;
  2. që janë të durueshëm[4], të sinqertë[5], të bindur[6], dorëdhënës[7] dhe që para agimit kërkojnë falje[8].
  3. Allahu dëshmon[9] se nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, po kështu edhe engjëjt e dijetarët,[10] duke mbajtur drejtësinë[11]. Nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.
  4. Feja[12] e vërtetë tek Allahu është Islami[13]. E, Ata që u është dhënë Libri[14], nuk patën mospajtime veçse pasi iu erdhi dija[15], nga zilia ndaj njëri-tjetrit[16]. Por, kushdo që i mohon provat e Allahut, (ta dijë se) Allahu është i shpejtë në llogari.[17]
  5. Nëse ata[18] polemizojnë me ty (o Muhamed), thuaju: “Unë ia kam nënshtruar fytyrën Allahut[19], dhe po kështu edhe ata që më pasojnë mua.” Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri[20] dhe analfabetëve[21]: “A nënshtroheni[22]?” Nëse nënshtrohen, atëherë kanë gjetur rrugën e drejtë. Por nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm komunikimi.[23] Allahu i sheh robët e Vet.[24]
  6. Njoftoi me dënim të dhembshëm ata që i mohojnë provat e Allahut, që vrasin pejgamberët[25] padrejtësisht, dhe që vrasin ata njerëz që urdhërojnë për drejtësi.[26]
  7. Këta[27] janë ata, veprat e të cilëve nuk kanë vlerë, as në këtë botë[28] dhe as në botën tjetër[29], dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues[30].

[1] Të besojmë Ty, të Dërguarin Tënd dhe atë që i është shpallur prej Teje.

[2] Na i mbulo, na i shlyej ato dhe mos na dëno  për to.

[3] Mos dëno me zjarr, o Zoti ynë!

[4] Në fatkeqësi, në luftë dhe në çdo sprovë.

[5] Që e vërtetojnë me vepër atë që pohojnë me gojë prej besimit në Allahun, të Dërguarin e Tij dhe shpalljet e Tij.

[6] Ndaj Allahut.

[7] Që japin zekatin e pasurive të tyre dhe japin lëmoshë ashtu si i ka urdhëruar Allahu dhe atyre që ka urdhëruar Ai.

[8] Me lutje dhe namaz. Ata mendojnë se janë neglizhues në adhurimin ndaj Allahut dhe nuk e kryejnë atë kurrë ashtu si e meriton Allahu, kështu që kërkojnë falje për gjynahet dhe për neglizhimin e tyre, dhe për këtë gjë ruajnë kohën më të përshtatshme për pranimin e lutjes, e ajo është në një të tretën e natës, para agimit.

[9] Kjo është rruga më madhështore për vërtetimin se Allahu është Një: pohimi i Vetë Allahut të Madhëruar.

[10] Këtu Allahu merr për dëshmues krijesat e Tij më të ndershme, engjëjt dhe dijetarët; për të dëshmuar dëshminë më madhështore.

[11] Pasi pohon Njësimin e Tij, Allahu pohon drejtësinë e Tij mes robërve të Tij dhe në të gjitha veprat e Tij.

[12] Bindja dhe nënshtrimi ndaj një Zoti të Vetëm.

[13] Islam do të thotë nënshtrim dhe dorëzim me përulje, frikë, shpresë e dashuri ndaj një Zoti të Vetëm, Allahut. Islami është feja e vetme e pranuar tek Allahu, dhe asnjë fe tjetër përveç tij. Islami ka qenë feja e të gjithë të dërguarve të Allahut.

[14] Inxhili që iu shpall Isait (alejhi selam).

[15] Pasi e mësuan të vërtetën në lidhje me atë që kundërshtoheshin për çështjen e Isait (alejhi selam), etj.

[16] Për sende të kësaj bote, për zbukurimet dhe kënaqësitë e saj, për pushtet dhe pasuri. Për këto gjëra ata u grindën me njëri-tjetrin, u përçanë dhe vranë njëri-tjetrin.

[17] Ia regjistron secilit veprat që bën dhe e shpërblen sipas tyre në botën tjetër.

[18] Të krishterët dhe të gjithë ata që zgjedhin fe tjetër përveç Islamit.

[19] I jam nënshtruar Allahut plotësisht, me të gjithë veten time. Por këtu përmendet fytyra, sepse ajo është pjesa më e nderuar te njeriu.

[20] Çifutëve dhe të krishterëve.

[21] Atyre që nuk u ka ardhur libër qiellor prej idhujtarëve arabë para Islamit.

[22] A i nënshtroheni Allahut duke pranuar Islamin dhe duke mos adhuruar veçse një Zot të Vetëm?

[23] Komunikimi i shpalljeve të Allahut dhe zbatimi i urdhrave të Tij, asgjë tjetër.

[24] Dhe e di mirë se kush e pranon atë që të kam shpallur ty, o Muhamed, dhe kush i kthen shpinën dhe e refuzon atë.

[25] Që i vrisnin pejgamberët e dërguar tek ata. Këtë e kanë bërë çifutët me disa prej pejgamberëve të tyre, si Zekerija, Jahja, etj.

[26] Ndjekësit e pejgamberëve, të cilët urdhëronin për drejtësi dhe për të ndjekur rrugën e drejtë, ndërsa ata i vrisnin njësoj si edhe pejgamberët.

[27] Që mohojnë provat e Allahut dhe vrasin pejgamberët.

[28] Sepse Allahu ua zbulon veprat e këqia që fshehin brenda tyre dhe njerëzit i shohin ata në realitetin e tyre.

[29] Veprat e tyre të mira nuk do të kenë shpërblim në botën tjetër, sepse ata i kanë fshirë ato me mohimin e tyre, dhe ata do të jenë përgjithmonë në zjarr.

[30] Që t’i ndihmojë dhe t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

-52-

  1. A nuk i sheh ata, të cilëve u është dhënë pjesë nga Libri[1], që kur ftohen për t’u gjykuar te Libri i Allahut[2], një pjesë prej tyre kthejnë shpinën,[3] duke refuzuar.
  2. Kjo, sepse ata thonë: “Ne nuk do të na prekë zjarri veçse për disa ditë.[4]” Shpifjet që bënin i kanë mashtruar ata në besimin e tyre.[5]
  3. Si do të jetë gjendja e tyre kur t’i bashkojmë në një ditë, për të cilën s’ka pikë dyshimi, kur çdokujt do t’i shlyhet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi?
  4. Thuaj: “O Zoti im! Zotëruesi i gjithë Pushtetit![6] Ti ia jep pushtetin[7] kujt të duash dhe ia heq atë kujt të duash.[8] Nderon kë të duash[9] dhe poshtëron kë të duash[10]. Në Dorën Tënde është e gjithë e mira[11]. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për gjithçka.[12]
  5. Ti e fut natën në ditë dhe fut ditën në natë.[13] Ti e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe nxjerr të vdekurën nga e gjalla.[14] Ti furnizon kë të duash pa llogari.[15]
  6. Besimtarët të mos i marrin për miq mosbesimtarët, në vend të besimtarëve![16] Ata që e bëjnë këtë, nuk kanë pjesë tek Allahu,[17] përveç nëse i ruheni ndonjë frike[18]. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij,[19] dhe tek Allahu është kthimi.[20]
  7. Thuaju: “E fshihni apo e shfaqni atë që keni në gjokse, Allahu e di atë, dhe di gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Allahu është i Zoti për çdo gjë.”[21]

[1] Bëhet fjalë për çifutët, të cilët patën pjesë nga shpalljet e Allahut me dërgimin e pejgamberëve. Por shpallja e Allahut u përmbush, u plotësua dhe u vërtetua me Kuranin, i cili i përmbledh të gjitha shpalljet e zbritura para tij, dhe dallon të vërtetën nga e pavërteta e asaj që gjendet në duart e ithtarëve të Librit, pasi që me shumë prej tyre ka luajtur dora njerëzore.

[2] Që kishin në duart e tyre, te Teurati.

[3] I kthejnë shpinën Librit të tyre dhe përgënjeshtrojnë atë që thuhet në të.

[4] Ata pretendojnë se do të dënohen vetëm 40 ditë, ditët në të cilat kanë adhuruar viçin.

[5] Ata trillonin gënjeshtra dhe të pavërteta, duke pretenduar se janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, dhe se Allahu i ka premtuar babait të tyre, Jakubit, se nuk do të fusë në zjarr asnjë prej bijve të tij. Por Allahu i përgënjeshtroi të gjitha fjalët e tyre dhe e njoftoi pejgamberin e Tij, Muhamedin, se ata janë banorët e zjarrit ku do të jenë përgjithmonë, ndryshe nga ata që besojnë Allahun, të dërguarit e Tij dhe ato që kanë ardhur nga Ai.

[6] Vetëm Allahut i përket zotërimi dhe sundimi i kësaj bote dhe i botës tjetër, dhe vetëm Ai gjykon mes robërve të Vet.

[7] I jep pushtet kujt të duash mbi çfarë të duash prej vendeve e njerëzve, dhe kjo sipas Urtësisë Tënde absolute.

[8] Allahu ka vendosur ligje në krijimin e Tij, dhe prej atyre ligjeve janë edhe shkaqet e dhënies së pushtetit dikujt dhe shkaqet e heqjes së tij nga dikush tjetër, qoftë në lidhje me besimtarët apo me mosbesimtarët.

[9] Me bindjen ndaj Teje.

[10] Me kundërshtimin dhe thyerjen e Urdhrave të Tua.

[11] Çdo gjë është në dorën Tënde dhe ti vepron me Vullnetin Tënd absolut.

[12] Asgjë nuk është e pamundur për Ty, por gjithçka i bindet Vullnetit dhe Fuqisë Tënde.

[13] Bëhet fjalë për zgjatjen e ditës dhe shkurtimin e natës si dhe anasjelltas gradualisht me ndryshimin e stinëve të vitit.

[14] Me fuqinë dhe vullnetin Tënd.

[15] Me furnizim të gjerë, nga nuk e pret.

[16] Në këtë ajet, Allahu i ndalon besimtarët nga marrja për miq, të dashur e ndihmues mosbesimtarët, dhe e kërcënon atë që e bën këtë, sin ë vazhdim të ajetit.

[17] Shkëputet nga Allahu dhe nuk ka pjesë në fenë e Allahut, pasi që marrja e mosbesimtarëve për miq e të dashur nuk mund të bashkohet me besimin, sepse besimi urdhëron për të marrë për mik, të dashur dhe ndihmues, Allahun dhe miqtë e Allahut, besimtarët, të cilët ndihmohen me njëri-tjetrin për ngritjen e fesë së Allahut dhe luftimin e armiqve të saj.

[18] Keni frikë se ju vrasin.

[19] Prandaj, mos veproni gjëra që nxisin zemërimin e Tij dhe mos i shkelni Urdhrat e Tij!

[20] Dhe çdokush do të japë llogari për veprat që ka bërë dhe do të marrë shpërblimin që i takon, përveç nëse Allahu me mëshirën e Tij, fal gjynahe dhe shumëfishon vepra të mira.

[21] I Zoti për t’i dhënë secilit shpërblimin apo dënimin që meriton.

-53-

  1. (Kini frikë) Atë ditë[1], kur çdo njeri do ta gjejë përpara atë të mirë që ka vepruar, kurse për atë të keqe që ka vepruar, do të donte që mes saj dhe atij të ishte largësi e madhe.[2] Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij.[3]” Allahu është i Butë me robët e Vet.[4]
  2. Thuaju (o Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun,[5] atëherë më ndiqni mua,[6] që t’ju dojë Allahu dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.”[7]
  3. Thuaju: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!”[8] E, në qoftë se ata kthejnë shpinën[9], me të vërtetë, Allahu nuk i do mosbesimtarët.[10]
  4. Allahu e zgjodhi[11] Ademin, Nuhun, familjen[12] e Ibrahimit[13] dhe familjen[14] e Imranit[15], mbi të gjitha krijesat.[16]
  5. Pasardhës të njëri-tjetrit.[17] Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[18]
  6. Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im! Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim, që të jetë vetëm në shërbimin Tënd, prandaj, pranoje prej meje! Vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi,[19] i Gjithëdijshmi.[20]
  7. Kur ajo e lindi atë, tha: “Zoti im! Unë e linda femër atë[21], -e Allahu e di shumë mirë se çfarë lindi ajo,[22] -e mashkulli nuk është si femra![23] Unë e quajta atë “Merjeme”, dhe unë e lë atë dhe pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.”
  8. Zoti i saj e pranoi atë me kënaqësi,[24] e bëri që të rritet mirë[25] dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias[26]. Sa herë që Zekeria hynte në Mihrab[27], gjente pranë saj ushqim[28] dhe i thoshte: “O Merjeme! Nga të ka ardhur ky?” Ajo i përgjigjej: “Ky është nga Allahu. Vërtet se Allahu furnizon kë të dojë pa llogari[29].”

[1] Në ditën e llogarisë, ditën e gjykimit.

[2] Do të donte që të mos e shihte dhe të mos ballafaqohej kurrë me veprën e keqe që ka bërë në dynja.

[3] Duke mos vepruar gjëra që e zemërojnë Atë.

[4] Dhe i mëshirshëm me ta, dhe nga mëshira dhe butësia e Tij është se Ai i ka paralajmëruar që t’i ruhen zemërimit të Tij dhe se nuk e derdh atë (zemërimin) pa i paralajmëruar ata.

[5] Ashtu si pretendoni se e keni arritur këtë gradë të lartë mbi të cilën nuk ekziston gradë tjetër.

[6] Në të gjitha çështjet e fesë, në ato që ju ndaloj dhe që ju urdhëroj. Kjo është shenja e dashurisë suaj për Allahun.

[7] Taberiu thotë se ky ajet ka zbritur si përgjigje për një delegacion të krishterësh nga Nexhrani, të cilët pretendonin se e donin Allahun dhe e madhëronin Isain (alejhi selam). Atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u tha se shenja që ata e duan vërtetë Allahun, është që të ndjekin atë dhe shpalljen që i shpallet nga Allahu. Por, sigurisht që kuptimi i ajetit është i përgjithshëm dhe ai i drejtohet të gjithë njerëzve deri në ditën e Kiametit.

[8] Në gjithçka që ju urdhërojnë. Bindja ndaj të dërguarit është bindje ndaj Allahut, sepse ai komunikon atë që i shpallet nga Allahu dhe Allahu ka urdhëruar për bindje ndaj tij.

[9] Dhe nuk i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, atëherë nuk ka vend ku të kthehen, veçse në mosbesim dhe në bindje ndaj çdo shejtani të panënshtruar.

[10] Por i urren dhe ndëshkon me ndëshkimin më të rëndë që meritojnë.

[11] Për t’i shpallur fenë e Tij. E zgjodhi si të dërguar tek njerëzit.

[12] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[13] Pejgamberi Ibrahim, i dashuri i Allahut, i ati i Ismailit, të cilin e ofroi si kurban për Zotin e tij, dhe i Is’hakut. I quajtur si babai i pejgamberëve.

[14] Ata që e besuan dhe e ndoqën atë.

[15] Imrani është babai i Merjemes, nënës së Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!).

[16] Allahu i zgjodhi dhe i privilegjoi ata mbi të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave me pejgamberllëkun dhe shpalljen e Tij, për të qenë pejgamberët e Tij të devotshëm  dhe njerëzit më të mirë dhe më të nënshtruar ndaj Zotit të tyre.

[17] Këtu bëhet fjalë për familjen e Ibrahimit dhe të Imranit, nga pasardhësit e të cilëve u zgjodhën pejgamberët, në mesin e të cilëve edhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), pasardhës i Ibrahimit dhe vula e pejgamberëve.

[18] Allahu e di mirë se kush meriton të jetë i zgjedhur nga mesi i njerëzve, i njeh mirë cilësitë dhe veprat e tyre, prandaj edhe i zgjodhi këta për cilësitë e tyre, dhe ne i lutemi Allahut që të na japë sukses të pajisemi me cilësitë e tyre dhe të bëjmë ato vepra që bëjnë të mundshme arritjen e kënaqësisë së Tij.

[19] I Cili e dëgjon atë që them dhe dëgjon çdo gjë.

[20] I Cili e di qëllimin tim dhe atë që kam në zemër.

[21] Fëmijën që ta kushtova Ty, që kur ishte në bark.

[22] Dhe nuk ka nevojë ta njoftojë kush, sepse Ai e di se çfarë do lindte ajo që para se ta lindte, por këtu është për qëllim të tregohet shprehja e keqardhjes dhe justifikimit nga nëna e Merjemes.

[23] Sepse mashkulli është më i fortë dhe më i aftë për shërbimin ndaj fesë dhe faltores së Allahut. Nëna e Merjemes sikur kërkon të shfajësohet, sepse priste të lindte mashkull, për të qenë më i aftë për shërbim.

[24] Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe e ruajti Merjemen dhe pasardhësin e saj, Isain, i strehoi dhe i mbrojti nga intrigat e djallit të mallkuar.

[25] I siguroi Merjemes kushtet për t’u rritur mirë, me moral të mirë dhe duke adhuruar Zotin e saj, sepse Ai e la atë nën kujdestarinë e Zekerias, pejgamberit të Tij.

[26] Allahu ia la Zekerias kujdestarinë e Merjemes, duke bërë që shorti që hodhën njerëzit në faltore për kujdestarinë e saj, t’i bjerë atij.

[27] Mihrab quhet vendi më i nderuar i faltores, si dhe qoshja e shtëpisë apo e dhomës. Këtu është për qëllim qoshja e dhomës në të cilën e mbante Zekrija Merjemen.

[28] Thuhet se gjente fruta jo të stinës dhe ushqime që nuk gjendeshin tek njerëzit në atë stinë.

[29] Pa masë dhe pa llogari nga njeriu, andej nga nuk e pret.

-54-

  1. Atëherë[1] Zekeria iu lut Zotit të vet, duke i thënë: “Zoti im! Më dhuro nga ana Jote pasardhës të bekuar! Me të vërtetë, Ti je Dëgjuesi i lutjes.”
  2. Në atë çast, atë e thërrasin engjëjt, ndërsa ishte në këmbë duke u falur, në Mihrab[2], dhe i thonë: “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjan[3], vërtetues i një Fjale nga Allahu,[4] fisnik[5], i dëlirë[6] dhe pejgamber[7], një prej të mirëve.[8]
  3. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Si mund të kem fëmijë, kur mua më ka zënë pleqëria, e gruaja ime është që nuk lind fëmijë?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu vepron çfarë të dojë!”[9]
  4. Ai (Zekeria) tha: “Zoti im! Më jep një shenjë!”[10] Ai (Zoti) i tha: “Shenja jote është se për tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, veçse me gjeste.[11] Përmende shumë Zotin tënd,[12] dhe madhëroje Atë mbrëmje e mëngjes!”
  5. Kujto gjithashtu kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Me të vërtetë, Allahu të ka zgjedhur[13], të ka pastruar[14] dhe të ka zgjedhur mbi të gjitha gratë e botës.[15]
  6. O Merjeme![16] Bindju Zotit tënd[17], bëj sexhde dhe përkulu në ruku[18] bashkë me ata që përkulen!”[19]
  7. Këto janë prej njoftimeve të fshehta, të cilat Ne t’i shpallim ty (o Muhamed!).[20] Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hidhnin short se kush prej tyre do ta merrte nën kujdes Merjemen, dhe nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin me njëri-tjetrin.[21]
  8. As (nuk ishe i pranishëm) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë[22] për një Fjalë prej Tij,[23] emri i të cilit është Mesihu[24] Isa, biri i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në botën tjetër,[25] dhe një nga të afërmit.[26]

[1] Kur pa atë që pa prej mrekullive të Allahut te Merjemja.

[2] Në vendin më të nderuar të faltores.

[3] Të njofton me lajmin e mirë se ty do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quash Jahja.

[4] Që do të vërtetojë profetësinë e Isait, birit të Merjemes, dhe do të jetë në një rrugë dhe në një drejtim me të.

[5] Fisnik në dije dhe në adhurim.

[6] I virgjër, që nuk kryen marrëdhënie intime me gratë.

[7] Lajmëtar i Zotit tek populli i tij.

[8] Prej pejgamberëve të mirë. E, të gjithë pejgamberët janë të mirë.

[9] Për Allahun nuk është e vështirë asgjë, dhe kjo është një prej mrekullive që ai ta jep ty.

[10] Që të më qetësohet zemra plotësisht, se kjo është e vërtetë nga Ti dhe se unë do të kem një djalë.

[11] Pa pasur ndonjë sëmundje në gjuhë apo në gojë dhe jo me dëshirën e tij për të mos folur. Këtu tregohet edhe një herë se: ashtu si Allahu i bën gjërat të ndodhin pa ndodhjen e shkaqeve përkatëse të tyre, po ashtu bën edhe që pasojat të mos ndodhin edhe pse gjenden shkaqet e tyre përkatëse, për të thënë se të gjitha shkaqet renditen nën caktimin dhe vendimin e Allahut. I Madhëruar qoftë Allahu, Krijuesi më i mirë!

[12] Sepse këtë mund ta bësh edhe pse nuk mund të flasësh.

[13] Për t’ju bindur Atij dhe të ka nderuar.

[14] Nga të metat dhe gjërat negative të njeriut. E ka pastruar besimin tënd nga dyshimi dhe ndotësitë e grave të bijve të Ademit.

[15] Zgjedhja e parë kthehet te cilësitë e mira dhe virtytet e larta të Merjemes, kurse zgjedhja e dytë kthehet në privilegjimin e saj mbi të gjitha gratë e kohës së saj ose të të gjitha kohërave, por në rastin e dytë, bashkohen me të edhe gra të tjera besimtare, siç është Hadixheja, gruaja e parë e Pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Fatimja, vajza e Pejgamberit, Aisha, gruaja e Pejgamberit.

[16] Me gjithë këto mirësi që të ka dhënë Allahu, ti duhet ta falënderosh Atë për këto mirësi.

[17] Vazhdimisht, me përulje dhe frikërespekt.

[18] Duke vendosur duart mbi gjunjë.

[19] Merjemja i bëri këto si falënderim ndaj Zotit të saj dhe si madhërim dhe adhurim vetëm për Të.

[20] Për të qenë dëshmi dhe provë se ti je i Dërguari i Allahut, dhe ata e kanë detyrë që të pasojnë ty dhe atë të shpallet nga Allahu.

[21] Kur e ëma e Merjemes shkoi te paria e Kudsit, në Jeruzalem, bashkë me Merjemen, ata hodhën short mes njëri-tjetrit se kush do ta merrte përsipër kujdestarinë e saj. Shorti u bë në atë mënyrë që ata të hidhnin lapsat e tyre në lum, dhe zotëruesi i lapsit që do të ngulej në lum dhe nuk do të merrej nga uji, do të merrte kujdestarinë e Merjemes. Ishte pikërisht lapsi i Zekerias, pejgamberit të tyre dhe më të mirit  prej tyre, i cili u ngul si në baltë dhe kështu ai mori kujdestarinë e saj.

[22] Se do të të lindë një djalë.

[23] Isai u quajt “Fjala e Allahut”, sepse ai u krijua me një Fjalë nga Allahu, me fjalën “Bëhu!”, sepse rasti e tij ka dalë nga shkaqet e zakonshme dhe Allahu e ka bërë atë nga shenjat dhe mrekullitë e krijimit të Tij. Allahu dërgoi engjëllin Xhibril te Merjemja dhe ai fryu në jakën e rrobës së saj. Ajo frymë e zgjuar, e këtij engjëlli të pastër, u fut te Merjemja, dhe nga ajo, Allahu krijoi këtë shpirt të pastër. Pra, Isai nuk u krijua nga sperma e njeriut por nga lëndë shpirtërore, prandaj u quajt “Shpirti i Allahut”. Këto shprehje duhen kuptuar mirë, sepse pikërisht këtu kanë devijuar të krishterët dhe e kanë ngritur Isain më tepër se ç’duhet, madje e kanë madhëruar deri sa e kanë bërë Zot, apo bir Zoti, apo pjesë e Zotit – i treti i të treve. Isai nuk e pranon kurrë këtë gjë dhe Allahu është i Pastër dhe i Lartë nga ajo që i përshkruajnë.

[24] Mesih do të thotë: i pastruar nga gjynahet, dikush që Allahu ia ka fshirë gjynahet, e ka bekuar.

[25] Allahu e ka nderuar dhe e ka dalluar Isain në dynja, duke e bërë një nga pesë të dërguarit më të mëdhenj dhe duke e ngritur emrin e tij në botë, kurse në botën tjetër, Isai është i nderuar tek Allahu dhe do të ndërmjetësojë ashtu si edhe vëllezërit e tij pejgamberë.

[26] Nga të afërmit tek Allahu, në botën tjetër.

-55-

  1. Ai do t’u flasë njerëzve që në djep[1], dhe i rritur[2], dhe do të jetë një nga të mirët.”[3]
  2. Ajo tha: “Si mund të kem fëmijë, kur mua nuk më ka prekur askush?!” Ai (engjëlli) tha: “Kështu! Allahu krijon ç’të dojë.[4] Kur Ai vendos diçka, mjafton t’i thotë “Bëhu!”, dhe ajo bëhet.[5]
  3. Ai (Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, urtësinë[6], Teuratin[7] dhe Inxhilin[8].
  4. Dhe (do ta bëjë) të Dërguar te bijtë e Israilit, (të cilëve do t’u thotë:) “Unë ju kam sjell provë nga Zoti juaj[9]: bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të, dhe me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrin dhe të lebrosurin, dhe ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë depozitoni në shtëpitë tuaja. Sigurisht që në të gjitha këto ka provë për ju,[10] nëse vërtet jeni besimtarë.[11]
  5. Unë jam vërtetues i asaj (shpalljes së Zotit) që ka qenë para meje prej Teuratit[12] dhe që t’ju lejoj disa gjëra nga ato që i keni pasur të ndaluara.[13] Ju kam ardhur me provë nga Zoti juaj, prandaj kini frikë Allahun[14] dhe bindmuni![15]
  6. Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj Atë adhuroni![16] Kjo[17] është rrugë e drejtë.[18]
  7. Kur Isai e kuptoi mosbesimin e tyre,[19] tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugë të Allahut?”[20] Havarijunët[21] u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e Allahut.[22] I kemi besuar Allahut, prandaj dëshmo[23] se ne jemi muslimanë (të nënshtruar Allahut).”

[1] Për të vërtetuar pastërtinë dhe pafajësinë e nënës së tij.

[2] Këtu është për qëllim të thuhet se edhe Isai ka kaluar në fazat e rritjes ashtu si edhe njerëzit e tjerë, por Allahu e ka dalluar atë me veçoritë që u përmendën më sipër.

[3] Në grupin e njerëzve të mirë të Allahut.

[4] Dhe e bën atë shenjë dhe argument për njerëzit, që të shohin fuqinë e Allahut dhe Madhështinë e Tij.

[5] Ashtu si do Ai, në formën, madhësinë dhe cilësitë që do Ai.

[6] Sqarimin dhe kuptimin e Librit.

[7] I cili gjendej në mesin e bijve të Israilit që në kohën e Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[8] Libër i ri, i cili nuk gjendej tek bijtë e Israilit, por iu shpall Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

[9] Që të besoni se unë jam i dërguari i Tij tek ju.

[10] Sepse ato janë mrekulli dhe nuk mund t’i bëjë veçse një i dërguar nga Allahu, me urdhrin e Allahut.

[11] Nëse vërtet e besoni Allahun, provat e Tij, të dërguarin e Tij Musain dhe Teuratin që  iu shpall atij nga Allahu.

[12] Isai e besonte Teuratin dhe të gjitha shpalljet e mëparshme të Allahut, që ua ka shpallur pejgamberëve të mëparshëm dhe po kështu të gjithë pejgamberëte e Allahut, i besonin të dërguarit e mëparshëm dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, si dhe lajmëronin për të dërguarin që do të vinte pas tyre.

[13] Isai e praktikonte Teuratin dhe atë që ishte shpallur nga Allahu, por atij iu shpallën disa lehtësime për disa ligje të rënda që ishin shpallur në Teurat, për shkak të arrogancës së bijve të Israilit.

[14] Në ato gjëra që ju ka urdhëruar dhe në ato që ju ka ndaluar.

[15] Në atë që u thërras, me të cilën Allahu më ka dërguar tek ju.

[16] Isai (alejhi selam) argumenton me njësimin e Allahut në krijim dhe se Ai është Zoti dhe Krijuesi i gjithçkaje, për njësimin e Tij në adhurim; pra, vetëm Zoti duhet adhuruar, dhe Isai është krijesë e Zotit.

[17] Adhurimi i Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij.

[18] E cila të çon tek Allahu dhe tek xheneti i Tij, kurse rrugët e tjera përveç kësaj rruge të çojnë në zjarrin e xhehenemit.

[19] E vuri re dhe e nuhati se ata mohuan provat e Allahut dhe donin ta vrisnin atë, madje vetë ideja për vrasjen e tij është kufër, sepse ai ishte i Dërguari i Allahut.

[20] Kush do të më ndihmojë dhe do të punojë me mua në përkrahje të fesë së Allahut?

[21] Ndihmuesit e Isait, nxënësit e tij, shokët e tij që e ndoqën, apostujt e tij.

[22] Ndihmuesit e fesë së Allahut; i besojmë Allahut dhe të ndjekim ty.

[23] O Isa, tek Allahu për besimin tonë.

-56-

  1. “Zoti ynë![1] Ne e besojmë atë që ke zbritur[2] dhe i bindemi të Dërguarit,[3] prandaj, na shëno bashkë me dëshmitarët[4]!”
  2. Dhe ata[5] i përgatitën një kurth[6], por edhe Allahu u përgatiti kurth,[7] e Allahu është kurthngritësi më i mirë.[8]
  3. (Kurthi i Allahut ishte) Kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr[9] ty, do të të ngre tek Unë, do të të pastroj[10] nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin[11] ty përmbi ata që mohojnë, deri në ditën e Kiametit. Pastaj, tek Unë do të jetë kthimi juaj,[12] dhe Unë do të gjykoj mes jush për atë që jeni kundërshtuar.[13]
  4. Sa për ata që mohojnë,[14] do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë[15] dhe në botën tjetër,[16] dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues.[17]
  5. Ndërsa atyre që besojnë[18] dhe bëjnë punë të mira,[19] Ai do t’u japë shpërblimin e plotë[20]. Allahu nuk i do të padrejtët[21].”
  6. Këto që t’i lexojmë ty janë nga provat e qarta[22] dhe Këshilla e urtë.[23]
  7. Shembulli i Isait[24] tek Allahu është njësoj si shembulli i Ademit, të cilin e krijoi nga balta, pastaj i tha “Bëhu!”, e ai u bë.[25]
  8. E vërteta është nga Zoti yt,[26] prandaj mos u bëj nga ata që dyshojnë![27]
  9. Atyre që polemizojnë me ty (o Muhamed) për çështjen e tij (Isait), pas asaj që të ka ardhur prej dijes,[28] thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe ju, pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut të jetë mbi gënjeshtarët!”[29]

[1] Këtë e thonë Havarijunët.

[2] Atë që i ke shpallur të dërguarit Tënd, Isait.

[3] Jemi bërë ndjekësit e Isait në fenë Tënde me të cilën e ke dërguar atë.

[4] Ata që dëshmojnë dëshminë e vërtetë të Njësimit të Allahut dhe besimit në të dërguarin e Tij.

[5] Që mohuan prej bijve të Israilit, mohimin e të cilëve e kuptoi dhe e vuri re Isai (alejhi selam).

[6] I përgatitën kurth Isait me qëllim për ta vrarë.

[7] Dijetarët e tefsirit transmetojnë se kurthi që përgatiti Allahu ishte vendosja e shëmbëlltyrës së Isait njërit prej shokëve të tij, dhe çifutët vranë atë duke menduar se vranë Isain (alejhi selam).

[8] Kundër atyre që thurin kurthe të padrejta dhe janë prishës e mohues.

[9] Dijetarët kanë dy mendime në lidhje me domethënien e fjalës “mutevafijke”, në lidhje me Isain (alejhi selam). Kjo, sepse domethënia e kësaj fjale në origjinë është përmbushja e diçkaje, pastaj është përdorur për të treguar vdekjen e njeriut. Por, në lidhje me Isain nuk është për qëllim vdekja dhe dalja e shpirtit nga trupi, sepse Allahu na ka njoftuar se e ka ngritur atë të gjallë, dhe pejgamberi ynë, Muhamedi na ka njoftuar se Isai nuk ka vdekur por është i gjallë në qiell dhe do të zbresë para ditës së Kiametit, pastaj do të vdesë dhe muslimanët janë ata që do t’i falin xhenazenë dhe do ta varrosin. Prej këtu, disa dijetarë thonë se domethënia e kësaj fjale këtu është marrja dhe ngritja e tij nga toka në qiell. Kurse të tjerë thonë se domethënia e saj është vdekja e vërtetë, por në ajet ka ndryshim të radhës së gjërave; sipas këtyre, radha e fjalisë është kështu: “O Isa, Unë do të të ngre tek Unë, do të shpëtoj nga ata që kanë mohuar, dhe do t’i ngre ata që të ndjekin ty …, pastaj do të të vdes.” Sipas këtij mendimi, dobia e përmendjes së vdekjes në fillim të fjalisë është për të treguar se ngritja në qiell nuk e pengon vdekjen e tij, por ai do të zbresë në tokë kur ta ketë caktuar Allahu, do të prijë besimtarët muslimanë, do të vrasë Dexhalin dhe do të vdesë si gjithë njerëzit, duke i dorëzuar shpirtin Allahut. Siç shihet, të gjithë janë dakord se Isai nuk ka vdekur, sepse kjo thuhet hapur dhe qartë në Kuran: “As nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por iu duk atyre” [En Nisa, 157].

[10] Do të të shpëtoj prej tyre.

[11] Ndjekësit e Isait janë ata që e besuan dhe e ndoqën atë prej të krishterëve dhe jo jehudët, të cilët nuk e besuan Isain por vendosën ta vrasin atë, madje vepruan dhe menduan se e vranë, deri sa Allahu dërgoi Muhamedin, për t’u bërë muslimanët ndjekësit e vërtetë të Isait dhe ata që e besuan të vërtetën e tij ashtu si ishte. Dhe kështu, Allahu i ndihmoi muslimanët dhe u dha triumf kundër jehudëve, të krishterëve e tjerë, si urtësi nga Allahu dhe ndëshkim i tyre për lënien e ndjekies së Isait.

[12] Kthimi i të gjitha krijesave është tek Allahu, dhe të gjitha ato do të kthehen patjetër tek Krijuesi i tyre, po kështu edhe ata që polemizojnë në lidhje me Isain (alejhi selam).

[13] Në lidhje me Isain dhe me çdo gjë tjetër, me gjykim të drejtë dhe të vërtetë.

[14] Që mohojnë profetësinë tënde, o Isa, dhe që mohojnë Allahun, të dërguarit e Tij apo ndonjërin prej tij, shpalljet e Tij.

[15] Me vrasje, poshtërim, jetë të vështirë materiale apo shpirtërore, ose të dyja së bashku, e tjera prej vuajtjeve të dynjasë.

[16] Në zjarr të xhehenemit, ku dënimi do të jetë shumë më i rëndë dhe i përhershëm.

[17] Që t’i ndihmojë dhe t’i ruajë nga dënimi i Allahut, as me fuqi, as me ndërmjetësim.

[18] Allahun, engjëjt e tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij, ringjalljen në botën tjetër, dhe çdo gjë që ka ardhur nga Allahu.

[19] Zbatojnë urdhrat e Allahut dhe i largohen ndalesave të Tij.

[20] Në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë botë ata do të kenë nderime, ndihmë nga Allahu, jetë të qetë e të lumtur, kurse shpërblimi i tyre në botën tjetër është i papërshkrueshëm.

[21] Ata të cilët nuk i vendosin gjërat në vendin e vet, adhurojnë tjetër përveç Allahut dhe u bëjnë padrejtësi njerëzve.

[22] Kundër atyre që polemizojnë në lidhje me Isain dhe nënën e tij, prej jehudëve dhe të krishterëve.

[23] Kurani i urtë, dalluesi mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

[24] Në krijimin e tij pa babë.

[25] Pa babë dhe pa nënë. Pra, çudia në krijimin e Isait pa babë, nuk është më e madhe se çudia në krijimin e Ademit pa babë e pa nënë, dhe ashtu si Allahu ka krijuar Ademin, ka krijuar edhe Isain, me fjalën “Bëhu!”

[26] Të gjitha ato që të njofton Allahu në lidhje me Isain dhe krijimin e tij, janë të vërteta dhe e vërteta e vetme rreth tij dhe rreth çdo gjëje tjetër është ajo që thotë Allahu.

[27] Mos dysho aspak dhe në asgjë nga ato që të njofton Allahu, sepse nuk qëndron përballë të vërtetës veçse e pavërteta. Ky është një rregull madhështor, të cilin po ta ketë parasysh besimtari, do t’i japë përgjigje çdo dyshimi që i vjen në lidhje me çështjet e besimit për të cilat ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

[28] Pasi Allahu ta tregoi të vërtetën në lidhje me të, në Kuran, dhe qartësoi se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i tij.

[29] Nëse dikush polemizon për çështjen e Isait pas këtyre provave të qarta nga Allahu, kjo tregon për kokëfortësinë e tyre, kështu që nuk ka më dobi nga hyrja në polemikë me ta, pasi që e vërteta është bërë e qartë për të gjithë, kurse ata nuk ndjekin atë që thotë Allahu dhe nuk duan të vërtetën, por ndjekin epshet e tyre dhe duan të kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij me kokëfortësi dhe arrogancë. Përderisa është kështu, atëherë Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që të dyja palët t’i luten Allahut që të hedhë mallkimin e Tij mbi palën gënjeshtare dhe mbi familjet dhe të afërmit e tyre, por ata nuk pranuan, sepse e dinin shumë mirë që sikur ta bënin këtë, nuk do të gjenin familje, as fëmijë dhe as pasuritë e tyre kur të ktheheshin në shtëpitë e tyre, si dhe do të shpejtonin dënimin e tyre. Dhe kështu, ata qëndruan në fenë e tyre, duke qenë të bindur për pavërtetësinë e saj, dhe ky është kulmi i kokëfortësisë dhe prishjes, prandaj Allahu thotë në ajetin 63, në vijim: “Nëse ata kthejnë shpinën, Allahu e di mirë se kush janë prishësit.”

-57-

  1. Padyshim, se kjo është historia e vërtetë.[1] Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Allahut,[2] dhe me të vërtetë, Allahu është i Plotëfuqishmi, i Urti.
  2. E, nëse ata kthejnë shpinën,[3] Allahu e di mirë se kush janë prishësit.[4]
  3. Thuaj: “O ithtarët e Librit! Ejani të biem në një fjalë[5] të përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, të mos i shoqërojmë Atij asgjë, dhe të mos e marrim njëri-tjetrin për zota,[6] në vend të Allahut!” Nëse ata refuzojnë, atëherë thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë[7] (të nënshtruar Allahut).”
  4. O ithtarë të Librit! Përse polemizoni në lidhje me Ibrahimin,[8] kur si Teurati edhe Inxhili[9] nuk janë zbritur veçse pas tij? A nuk logjikoni?[10]
  5. Ju jeni ata që polemizuat për atë që kishit një farë dije,[11] përse tani polemizoni për diçka që nuk keni aspak dije?[12] Allahu e di,[13] kurse ju nuk dini asgjë.[14]
  6. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi, as i krishterë, por ka qenë ndjekës i fesë së drejtë,[15] mysliman (i nënshtruar Allahut) dhe nuk ka qenë nga politeistët.[16]
  7. Pa dyshim, njerëzit më të denjë për të pasur Ibrahimin[17] janë ata që e pasuan atë,[18] ky pejgamber[19] dhe ata që besojnë.[20] Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve.[21]
  8. Një grup nga ithtarët e Librit do të dëshironin që t’ju shpinin në humbje,[22] por ata nuk shpienë në humbje veçse veten e tyre,[23] por nuk e ndiejnë.[24]
  9. O ithtarë të Librit![25] Përse i mohoni ajetet e Allahut,[26] ndërkohë që dëshmoni për to?[27]

[1] Kështu është historia e vërtetë e Isait, dhe çdo version tjetër i kësaj historie që e kundërshton këtë që ka treguar Allahu, është i pavërtetë.

[2] Vetëm Allahu është Zot dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe asgjë e askush tjetër përveç Tij. Isai nuk ka qenë veçse rob i Allahut dhe i zgjedhur nga Ai si pejgamber. Kurse mrekullitë që kanë ndodhur në lidhje me të dhe nënën e tij, Allahu i ka bërë për të treguar fuqinë e Tij dhe provë për njerëzit, me qëllim që të besojnë Allahun dhe të ndjekin të Dërguarin e tij.

[3] Dhe refuzojnë të bëjnë lutje të përbashkët që mallkimi i Allahut të bjerë mbi gënjeshtarët.

[4] Dhe i dënon ata për veprën e tyre me dënimin më të rëndë.

[5] Fjala e njësimit të Allahut, fjala e të gjithë të dërguarve dhe lajmëtarëve të Allahut, të cilën nuk e kanë kundërshtuar veçse të humburit dhe të pabindurit.

[6] Të mos i bindemi njëri-tjetrit për gjëra që e kundërshtojnë urdhrin e Allahut, por t’i bindemi vetëm Allahut dhe të zbatojmë atë që thotë Ai dhe t’i largohemi asaj që ndalon Ai.

[7] Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar vetëm Allahut me fjalë, me vepër dhe me zemër, dhe i bindemi vetëm Atij.

[8] Për të cilin, jehuditë thonin se  është prej tyre, ndërsa të krishterët thonin se është prej tyre.

[9] Që pretendon se ndjek secili prej jush.

[10] Sikur të logjikonit, nuk do të thoshit këto që thoni.

[11] Për atë që e patë me sytë tuaj, Isain (alejhi selam) dhe atë që gjenit të shkruar në Teurat dhe në Inxhil.

[12] Në lidhje me Ibrahimin dhe fenë e tij.

[13] Për Ibrahimin dhe për çdo gjë që ka krijuar, me dije të plotë e të përpiktë.

[14] Përveç asaj që keni parë dhe që keni lexuar në librat qiellor.

[15] Fesë së Allahut, duke iu bindur dhe nënshtruar vetëm ndaj Allahut dhe duke adhuruar vetëm Allahun.

[16] Kjo është dëshmi nga Allahu për pastërtinë e pejgamberit dhe të dashurit të Allahut, Ibrahimit (alejhi selam), i cili ka qenë i nënshtruar ndaj Alahut dhe urdhrave të Tij, larg idhujtarisë dhe idhujtarëve. Në këtë ajet, Allahu i përgënjeshtron jehudët dhe të krishterët, të cilët pretendonin se Ibrahimi i përkiste fesë së tyre, dhe pohon se ai ishte mysliman, që do të thotë: i nënshtruar Allahut me zemrën dhe veprat e tij, në gjithçka që Allahu urdhëron dhe pëlqen, si dhe duke iu larguar atyre që Allahu ndalon dhe urren. Kjo është feja e vërtetë, Islami.

[17] Për ta pasur Ibrahimin mik, të dashur, dhe të adresuar në fenë e tyre.

[18] Ata që ndoqën rrugën dhe besimin e tij në një Zot të vetëm, pa i shoqëruar Atij askënd.

[19] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[20] Bashkë me Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), d.m.th. populli musliman.

[21] Allahu është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi i atyre që besojnë Muhamedin dhe e ndjekin atë dhe gjithçka që  i është shpallur atij nga Allahu.

[22] T’ju zmbrapsin nga Islami, o muslimanë, për t’ju kthyer në mosbesimin ku ndodhen vetë, dhe kështu t’ju tërheqin me vete në shkatërrim e në humbje.

[23] Veten dhe ndjekësit e tyre në fenë e tyre, sepse ata tërheqin zemërimin dhe mallkimin e Allahut kundër vetes, për shkak të mohimit të Allahut dhe shkeljes së besës që u mori Allahu në Librin e tyre, për pranimin e Muhamedit, besimin në të dhe pasimin e tij.

[24] Nuk e dinë se çfarë i pret prej dënimit të Allahut, për shkat të veprave të tyre.

[25] I drejtohet jehudëve dhe të krishterëve.

[26] Vargjet dhe provat e Allahut që i gjeni në Librin e Allahut të zbritur tek ju, në gjuhën e të dërguarve tuaj.

[27] Dëshmoni për vërtetësinë e tyre dhe se ato janë nga Allahu. Në këtë ajet, Allahu i qorton ithtarët e dy Librave, për mohimin e Muhamedit dhe përgënjeshtrimin e profetësisë së tij, ndërkohë që ata e gjejnë atë të shënuar në Librat e tyre, dhe vetë ata dëshmojnë se ajo që thuhet në Librat e tyre është e vërtetë, nga Allahu.

-58-

  1. O ithtarë të Librit! Përse e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën, dhe e fshihni të vërtetën,[1] duke qenë se e dini?[2]
  2. Një grup prej ithtarëve të Librit thanë: “Në mëngjes, besoni në atë që u është zbritur atyre që besojnë, kurse në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta kështu do të kthehen.[3]
  3. Dhe mos u besoni veçse atyre që ndjekin fenë tuaj!”[4] Thuaj (o Muhamed): “Udhëzimi[5] i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut.”[6] (Vazhdojnë të thonë:) “Apo (mos besoni) se ndokujt mund t’i jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë juve, apo se do të polemizojnë kundër jush te Zoti juaj!”[7] Thuaj: “Mirësia[8] është në Dorë të Allahut dhe Ai ia jep kujt të dojë.[9] Allahu është Mirëbërës i madh, i Gjithëdijshëm.[10]
  4. Ai veçon me mëshirën[11] e Vet kë të dojë. Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.
  5. Prej ithtarëve të Librit[12] ka të atillë që, nëse i beson një tonelatë ari, ta kthen atë, por ka edhe të atillë që, nëse i beson një dinar (monedhë ari), nuk ta kthen atë, vetëm po qe se nuk i ndahesh.[13] Kjo,[14] sepse ata thonë: “Ne nuk kemi asnjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë).[15]” Dhe flasin gënjeshtra për Allahun[16] me vetëdije.
  6. Përkundrazi,[17] kushdo që e përmbush premtimin e tij[18] dhe ruhet[19], padyshim se Allahu i do të devotshmit.[20]
  7. Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin e Allahut dhe betimet e tyre[21] me një vlerë të pakët,[22] nuk do të kenë pjesë në botën tjetër,[23] Allahu nuk do t’u flasë atyre,[24] as nuk do të shikojë[25] tek ata në ditën e Kiametit, as nuk do t’i pastrojë ata[26] dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.

[1] Që thuhet për Muhamedin dhe profetësinë e tij, në Librat tuaj.

[2] E dini të vërtetën dhe e fshihni atë me vetëdije. Kështu veprojnë ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi i pastër, ata që ndjekin epshet e tyre dhe i japin përparësi jetës së kësaj bote mbi botën tjetër, për të mashtruar njerëzit dhe për t’i bërë ata ndjekës të tyre: duke ngatërruar të vërtetën me të pavërtetën, që njerëzit të bienë në pështjellim dhe në dyshime, dhe duke e fshehur të vërtetën me vetëdije, me qëllim që njerëzit të mos e shohin atë, përndryshe do të zbulohen nuk do të ndiqen më tej. Kjo është ajo që bënë paria çifute dhe e krishtere, dijetarët dhe klerikët e tyre, dhe që vazhdojnë të bëjnë gjithnjë, në çdo kohë e vend.

[3] Nga feja e tyre. Ky ishte një prej kurtheve të tyre për të zmbrapsur besimtarët nga Islami; sepse muslimanët, duke parë që dijetarët prej ithtarëve të Librit hynë në Islam në mëngjes dhe dolën prej tij në mbrëmje, do të mendojnë se ata dolën prej tij pasi që panë se nuk ishte i vërtetë! Dhe kështu, njerëzit do ta linin Islamin dhe do të ndiqnin fenë e tyre, por Allahu nuk lejon tjetër veçse të përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.

[4] Mos i zini besë dhe mos i tregoni asgjë veçse atyre që janë në fenë tuaj, përndryshe ata do ta mësojnë atë që dini ju prej të vërtetës që fshihni, dhe do të dëshmojnë kundër jush tek Allahu.

[5] Sqarimi i të vërtetës dhe udhëzimi tek ajo.

[6] Kjo është fjali kundërshtore, me anë të së cilës kundërshtohet fjala e tyre djallëzore dhe sqarohet e vërteta.

[7] Sepse ju jeni më të nderuar se ata tek Allahu, për atë që ju ka dhënë juve dhe nuk ua ka dhënë atyre.

[8] Pjegamberllëku, shpallja, udhëzimi në rrugën e drejtë dhe dhënia sukses për gjetjen e saj dhe ecjen në të.

[9] Dhe jo kujt të dëshironi ju, o jehudë!

[10] E di mirë se kush e meriton mirësinë e Tij.

[11] Me Islamin, pejgamberllëkun, Kuranin.

[12] Prej jehudëve.

[13] Dhe ia kërkon vazhdimisht.

[14] Moskthimi i amanetit të lënë tek ata.

[15] Nuk kemi detyrim dhe as gjynah në mbajtjen e pasurive të tyre sepse ata janë idhujtarë e të paditur.

[16] Duke thënë se Allahu ua ka bërë të lejuar pasurinë e atyre dhe ne nuk kemi gjynah nëse e thyejmë amanetin e tyre.

[17] Nuk është ashtu si thonë këta gënjeshtarë prej jehudëve.

[18] Premtimin dhe besën që u ka marrë jehudëve në Teurat, se do të besojnë Muhamedin dhe atë që i shpallet nga Zoti i tij.

[19] I ruhet atyre që ka ndaluar Allahu prej mosbesimit dhe mëkateve, nga frika e mbikqyrjes së Allahut dhe dënimit të Tij.

[20] Ata që i ruhen Allahut dhe dënimit të Tij, duke iu larguar ndalesave të Tij dhe duke iu bindur urdhrave të Tij.

[21] Betohen rrejshëm për të bërë të lejuar atë që Allahu ua ka ndaluar, prej pasurive të njerëzve.

[22] Nga gjërat e dynjasë.

[23] Nuk do të kenë pjesë në të mirat e botës tjetër, në të mirat e xhenetit.

[24] Nuk do t’u flaës fjalë që i gëzon ata. E kemi përmendur më parë më gjerësisht kuptimin e kësaj.

[25] Nuk do u hedh sytë, nuk do i dhimbsen, nuk do ketë mëshirë për ta.

[26] Nga ndotësia e gjynaheve dhe mohimit të tyre.

-59-

  1. Me të vertëtë, prej tyre[1] është një grup, të cilët i përdredhin gjuhët[2] e tyre kur lexojnë Librin,[3] që ju të mendoni se ajo[4] është prej Librit, kurse në të vërtetë nuk është prej Librit. Dhe thonë: “Kjo është nga Allahu.”[5] Por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtër për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm.[6]
  2. Nuk i takon asnjë njeriu,[7] të cilit Allahu i ka dhënë Librin, gjykimin[8] dhe pejgamberllëkun, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut!”[9] Por ai u thotë: “Bëhuni edukatorë të urtë,[10] për atë se ua mësonit të tjerëve Librin[11] dhe e studionit atë.”[12]
  3. As (nuk i takon) që t’ju urdhërojë të merrni engjëjt dhe pejgamberët për zota[13]. Vallë, a do t’ju urdhëronte për mosbesim, pasi të jeni nënshtruar[14]?!
  4. Kujtoni[15] kur Allahu mori besën[16] e pejgambereve: “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i dërguar,[17] vërtetues i asaj që ju është dhënë,[18] ju do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë! A e pranoni dhe më jepni besën për këtë?” Ata thanë: “E pranojmë.” Ai tha: “Atëherë dëshmoni,[19] dhe Unë jam bashkë me ju prej dëshmitarëve.[20]
  5. Por, kushdo që kthen shpinën pas kësaj,[21] pikërisht ata janë të prishurit.[22]
  6. A mos kërkojnë fe tjetër nga ajo e Allahut,[23] ndërkohë që Atij i janë nënshtruar[24] të gjithë ata që gjenden në qiej e në tokë, me hir[25] a me pahir[26], dhe tek Ai do të kthehen.[27]

[1] Prej ithtarëve të Librit, jehudëve dhe të krishterëve.

[2] Deformojnë fjalët dhe ndryshojnë kuptimin me interpretimin e tyre të gabuar e të qëllimshëm.

[3] Librin e Allahut, Teuratin dhe Inxhilin.

[4] Fjala që thonë ata duke përdredhur gjuhën gjatë leximit, me qëllim që të ndryshojnë fjalët dhe kuptimin, të trillojnë gënjeshtër dhe të pavërtetë.

[5] E ndryshojnë haptazi atë që thuhet në libër dhe thonë se ajo që kanë ndryshuar vetë ata është nga Allahu.

[6] Ky është krim më i madh se ai që thotë për Allahun diçka që nuk e di, edhe pse të thuash për Allahun diçka që nuk e di, është gjynah i madh, por gjynahu i këtyre është edhe më i madh, sepse ata e dinë të vërtetën dhe trillojnë gënjeshtër me vetëdije.

[7] Është e pamundur, absurde që një njeri, të cilit Allahu i ka dhënë Librin… Ky ajet ka zbritur si kundërpërgjigje ndaj atyre ithtarëve të Librit të cilët, kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi të besonin se ai ishte i Dërguari i Allahut dhe t’i bindeshin atij, thanë: “A dëshiron, o Muhamed, që të adhurojmë ty bashkë me Allahun?”

[8] Dijen dhe kuptimin, gjykimin e drejtë.

[9] Më adhuroni mua në vend të Allahut.

[10] Edukues dhe drejtues të njerëzve me dije, kuptim dhe largpamësi, me qëllim të përmirësimit të çështjeve të tyre të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[11] Kuranin dhe Sunetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[12] Njeriu nuk i mëson të tjerët, veçse pasi të ketë mësuar vetë dhe të jetë thelluar në dije, pastaj, kur ua mëson atë të tjerëve, ajo dije zë rrënjë tek ai dhe forcohet.

[13] Që adhurohen në vend të Allahut apo bashkë me Allahun.

[14] Pasi t’i jeni nënshtruar Allahut me bindje e besim.

[15] O ithtarë të Librit!

[16] Zotimin dhe premtimin se do t’i binden Allahut për gjithçka që i urdhëron apo i ndalon.

[17] Kushdo prej të dërguarve, në mes të të cilëve edhe Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[18] Beson dhe vërteton të dërguarit dhe shpalljet e mëparshme të Allahut, sepse të gjithë pejgamberët besojnë dhe vërteteojnë njëri-tjetrin, sepse që të gjithë ata janë dërguar nga Allahu.

[19] Tek popujt tuaj dhe merruni besën atyre për këtë: se do ta besojnë dhe do ta ndjekin çdo të dërguar nga Allahu i cili vërteton atë që u ka ardhur atyre.

[20] Kundër popujve tuaj, me dëshminë se ju ua keni marrë besën atyre dhe ata e mësuan të vërtetën, kështu që për ta nuk ka justifikim.

[21] Kushdo që kthen shpinën dhe e shkel besën e dhënë, duke mos i besuar të dërguarit e Mi, të cilët vijnë si vërtetues të dërguarve që kanë qenë para tyre, as nuk i ndjek e nuk i përkrah ata.

[22] Që kanë dalë nga feja e Allahut dhe bindja ndaj Tij.

[23] O ithtarë të Librit! A mos kërkoni bindjen dhe nënshtrimin ndaj dikujt tjetër përveç bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut.

[24] Me adhurim e bindje, pa i shoqëruar asgjë.

[25] Engjëjt dhe besimtarët, të cilët i binden Allahut dhe i nënshtrohen Atij me dëshirë, ashtu si i ka udhëzuar Ai.

[26] Të gjitha krijesat, madje edhe mosbesimtarët, sepse të gjithë i nënshtrohen ligjit dhe caktimit të vendosur nga Allahu, dhe nuk mund të dalin prej tij.

[27] Dhe Ai do të gjykojë mes tyre dhe do t’i shpërblejë sipas vendimit të Tij, i cili sillet mes mirësisë dhe drejtësisë.

-60-

  1. Thuaj[1]: “Ne besojmë Allahun, atë që na është zbritur neve, atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve[2] dhe atë që i është dhënë Musait, Isait dhe të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre, dhe ne vetëm Atij i nështrohemi.”[3]
  2. Ndërsa kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij nuk do t’i pranohet[4] dhe në botën tjetër ai do të jetë prej të humburve[5].
  3. Si mund t’i udhëzojë Allahu ata njerëz, të cilët mohuan pas besimit të tyre dhe pasi dëshmuan se i Dërguari[6] është i vërtetë, dhe u kishin ardhur provat e qarta? Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.[7]
  4. Shpërblimi i këtyre është që mbi ta të jetë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i mbarë njerëzimit.
  5. Përgjithmonë në të (dënim), pa ju lehtësuar dënimi aspak dhe pa ju dhënë afat[8].
  6. Përveç atyre të cilët pas kësaj pendohen[9] dhe përmirësohen[10], padyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.
  7. Vërtet, ata të cilët mohojnë pas besimit të tyre, pastaj e shtojnë edhe më shumë mohimin[11], pendimi i tyre nuk do të pranohet[12] dhe pikërisht këta janë ata që kanë humbur (rrugën e drejtë).
  8. Vërtet, ata që mohojnë[13] dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë, askujt prej tyre nuk do t’i pranohet kompensim[14], edhe sikur (kompensimi) të ishte sa e tërë toka mbushur me ar. Ata do të kenë dënim të dhembshëm dhe nuk do të kenë asnjë ndihmues[15].

[1] Nëse ata refuzojnë veçse të ndjekin fe tjetër nga ajo e Allahut, thuaju…

[2] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë pejgamberë.

[3] Ajet i njëjtë me këtë ka qenë ajeti nr. 136, i sures Bekare, prandaj kthehuni atje për më tepër komentim.

[4] Nga Allahu.

[5] Nuk kanë vend në mëshirën e Allahut, por ka humbur gjithçka dhe nuk mund të shpëtojë nga dënimi i zjarrit.

[6] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[7] Sepse këta e njohën të vërtetën dhe ndoqën të pavërtetën, me vetëdije, dhe kjo është padrejtësia më e madhe.

[8] Për t’u justifikuar me ndonjë justifikim.

[9] Kthehen nga mosbesimi në besim.

[10] Përmirësojnë gjendjen e tyre me vepra të mira dhe në bindje ndaj Allahut.

[11] Duke mohuar profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[12] Nuk u pranohet pendimi nga gjynahet përderisa vazhdojnë të jenë në mohim e mosbesim, dhe dihet se kush mohon një prej të Dërguarve, i ka mohuar të gjithë të dërguarit e Allahut dhe ai është mohues i Allahut.

[13] Mohojnë profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në veçanti dhe të gjitha llojet e mohimit në përgjithësi.

[14] Për të shpaguar dhe liruar veten nga dënimi i zjarrit.

[15] Asnjë të afërm, mik apo shok që ta ndihmojë dhe ta shpëtojë nga Allahu dhe dënimi i Tij, ashtu si e ndihmonin në dynja kundër dikujt që kërkonte ta dëmtonte.

-61-

  1. Nuk keni për ta arritur devocionin[1], deri sa të jepni nga ajo që e doni[2]. Nuk ka gjë që jepni,[3] veçse Allahu e di mirë atë.[4]
  2. Të gjitha ushqimet kanë qenë të lejuara për bijtë e Israilit, përveç asaj që Israili (Jakubi) ia ndaloi vetes para se të shpallej Teurati.[5] Thuaju: “Silleni Teuratin dhe lexojeni atë, nëse thoni të vërtetën!”[6]
  3. E, kushdo që pas kësaj shpif gënjeshtër për Allahun, ata janë të padrejtët.[7]
  4. Thuaj (o Muhamed!): “Allahu thotë të vërtetën.[8] Ndiqni pra fenë e pastër të Ibrahimit,[9] i cili nuk ka qenë nga idhujtarët.
  5. Me të vërtetë, xhamia e parë e ngritur për njerëzit[10] është ajo në Bekke[11] (Mekë), e bekuar[12] dhe udhëzim për popujt.[13]
  6. Në të ka shenja të qarta[14]: vendi i Ibrahimit[15], (fakti se) kushdo që hyn në të është i sigurt[16] dhe detyrimi ndaj Allahut mbi njerëzit që ta vizitojnë këtë shtëpi (të bëjnë haxh), për ata që kanë mundësi[17] të shkojnë atje. E kush mohon,[18] Allahu nuk ia ka nevojën asnjë krijese.[19]
  7. Thuaj (o Muhamed!): “O ithtarët e Librit![20] Përse i mohoni provat e Allahut,[21] ndërkohë që Allahu dëshmon[22] gjithçka që ju veproni?”
  8. Thuaj: “O ithtarët e Librit! Përse e pengoni[23] nga rruga e Allahut[24] atë që beson e përpiqeni ta shtrembëroni atë (rrugë), ndërkohë që jeni dëshmitarë[25]? Por, Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj atyre që veproni.”
  9. O ju, që keni besuar! Nëse i bindeni ndonjë grupi të atyre që u është dhënë Libri, pas besimit tuaj, ata do t’ju kthejnë në mohues.[26]

[1] Devotshmërinë dhe përkushtimin e vërtetë ndaj Allahut, bindjen e plotë ndaj Tij dhe të gjitha ato vepra të mira që e çojnë njeriun në xhenet.

[2] Nga pasuria më e mirë dhe më e dashur që zotëroni, apo kur zotëroni pak dhe megjithatë jepni për Hir të Allahut; gjë e cila do të thotë se ju i jepni përparësi kënaqësisë së Allahut mbi dëshirave tuaja, dhe për këtë fitoni shpërblimin e Allahut.

[3] Qoftë shumë apo pak, sipas mundësisë dhe qëllimit.

[4] Dhe ju shpërblen sipas qëllimit tuaj dhe dobisë që bën ajo që jepni.

[5] Transmetohet se Jakubi (alejhi selam) u sëmur me një lloj sëmundje, dhe u zotua se nëse Allahu do ta shëronte nga kjo sëmundje, ai do t’i ndalonte vetes ushqimet më të dashura, dhe thuhet se ato që i ndaloi vetes ishin mishi i i devesë dhe qumështi i saj. Në këtë gjë e pasuan edhe bijtë e tij deri sa u shpall Teurati dhe ndaloi disa lloje ushqimesh të cilat më parë ishin të lejuara për bijtë e Israilit, por shkaku i ndalimit të tyre ishte: “Për shkak të padrejtësisë së atyre që u bënë jehudë, u ndaluam gjëra të mira të cilat ishin të lejuara për ta.” [En Nisa, 160].

[6] Nëse ata e mohojnë këtë, atëherë thuaju, o Muhamed, që të sjellin Teuratin dhe ta lexojnë para teje, sepse vetë Teurati që ata pretendojnë se ndjekin, i përgënjeshtron ata. Ky ajet është gjithashtu kundërëpërgjigje ndaj jehudëve të cilët thonë se Nes’hu-shfuqizimi i disa ligjeve të Allahut nga vetë Allahu nuk lejohet, sepse kjo do të ishte mangësi për Allahun. Por vetë Allahu e pohon se Ai shfuqizon çfarë të dojë prej ligjeve me Urtësinë e Tij, dhe argument për këtë është vetë Teurati, në të cilin janë ndaluar gjëra që kanë qenë të lejuara më parë dhe ky është shfuqizim i ligjit për lejimin, dhe kjo nuk tregon ndonjë mangësi tek Allahu por tregon se Ai vepron me Vullnetin dhe Urtësinë e Tij atë që dëshiron.

[7] Mohuesit, të cilët thonë për Allahun të pavërtetën.

[8] Në çdo gjë që thotë dhe gjykon, kurse ju, o jehudë, shpifni gënjeshtër për Allahun dhe thoni të pavërtetën.

[9] Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj se ndiqni fenë që Allahu zgjodhi për pejgamberët dhe të dërguarit e Tij, o ithtarë të Librit, atëherë ndiqni fenë e pastër dhe larg idhujtarisë të Ibrahimit, dhe jo jehudizmin dhe as krishterizmin.

[10] Që të adhurojnë në të Zotin e tyre.

[11] Bekke është quajtur xhamia e shenjtë në Mekke, sepse në të grumbullohen njerëzit dhe shtyhen me njëri-tjetrin gjatë tavafit në haxhin apo umran e tyre.

[12] Sepse në të falen gjynahet nga Allahu, të shumëfishohen të mirat dhe ka siguri.

[13] Në të ka shenja të qarta nga Allahu, nga ajo drejtohen muslimanët gjatë namazit të tyre, atje kryejnë ritet e haxhit dhe të umras, me vizitën e saj ata plotësojnë Islamin e tyre dhe u forcohet besimit për shkak të asaj që shohin me sytë e tyre dhe veprojnë me gjymtyrët e tyre.

[14] Shenja nga Allahu që argumentojnë për njësimin e Tij, mëshirën e Tij, urtësinë e Tij, madhështinë e Tij, gjithëpërfshirjen e dijes së Tij dhe gjerësinë e bujarisë së Tij. Prej atyre shenjave janë edhe ato që përmenden në vijim.

[15] Thuhet se është për qëllim guri mbi të cilin hipte Ibrahimi (alejhi selam) kur ndërtoi Kaben, kur ndërtesa u bë e lartë, ose gjurmët e lëna nga ai mbi atë gur, të cilat zunë vend dhe lanë shenjë për të qenë provë nga Allahu. Thuhet gjithashtu se me këtë vend është për qëllim vendi shpirtëror që ka Ibrahimi te besimtarët. Thuhet gjithashtu se janë për qëllim të gjitha vendet ku Ibrahimi qëndroi kur kreu haxhin. E vërteta është se të gjitha këto përfshihen në ajet dhe në realitet, sepse në xhaminë e Kabes gjendet edhe sot vendi i quajtur “Mekamu Ibrahim”, dhe po kështu Ibrahimi ka vend të lartë në zemrat e besimtarëve muslimanë.

[16] Nuk lejohet vrasja apo ekzekutimi i dënimit ndaj atij që hyn në haremin e Kabes për t’i shpëtuar dënimit për krimin që ka bërë jashtë haremit, por pritet që të dalë apo nxirret prej tij dhe i jepet dënimi që meriton për veprën e bërë.

[17] Mundësi udhëtimi, fizike e materiale.

[18] Detyrueshmërinë e kryerjes së haxhit në Mekke.

[19] Nuk ka nevojë për haxhin e tij, as për vetë atë dhe as për ndonjë krijesë në botë.

[20] Prej bijve të Israilit dhe të gjithë ata që pretendojnë se ndjekin libër qiellor dhe mohojnë Muhamedin dhe profetësinë e tij.

[21] Që dëshmojnë për profetësinë e Muhamedit, qofshin në librat tuaj apo që i janë dhënë Muhamedit, kur ju e dini se ai thotë të vërtetën.

[22] Sheh dhe di në hollësi.

[23] Duke i drejtuar në rrugë të gabuar me pështjellime e fshehje të vërtetës.

[24] Nga Islami dhe shpallja me të cilën është dërguar Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[25] Se rruga nga e cila pengoni dhe përpiqeni ta shfaqni të shtrembër, është rruga e vërtetë.

[26] Prandaj mos u besoni atyre asgjë që ka lidhje me fenë tuaj, as mos kërkoni këshillë prej tyre në fenë tuaj, sepse ju tashmë e dini se ata janë të humbur dhe kanë zili, urrejtje dhe armiqësi ndaj jush. Thuhet se ky ajet ajet është shpallur kur një grup prej jehudëve që gjendeshin në Medine kërkuan të kthejnë armiqësinë e vjetër mes dy fiseve të mëdha El Eus dhe el Hazrexh, të cilët i pajtoi Muhamedi (alejhi selam) dhe ata u bënë muslimanë.

-62-

  1. E si mund të mohoni[1] kur juve ju lexohen ajetet e Allahut[2] dhe në mesin tuaj ndodhet i Dërguari i Tij[3]?! Kushdo që strehohet tek Allahu[4], është udhëzuar në rrugë të drejtë.[5]
  2. Ju, o besimtarë! Kini frikë Allahun[6] me një devotshmëri të vërtetë ndaj Tij dhe mos vdisni ndryshe, veçse duke qenë muslimanë.[7]
  3. Dhe mbahuni fort për litarin e Allahut që të gjithë dhe mos u përçani![8] Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush kur ishit armiq[9] të njëri-tjetrit dhe Ai futi harmoni në zemrat tuaja[10] e, në saje të mirësisë së Tij, u bëtë vëllezër[11]. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit,[12] kurse Ai ju shpëtoi prej saj[13]. Kështu ua sqaron Allahu provat e Tij, me qëllim që të udhëzoheni drejtë.
  4. Prej jush[14], le të jetë një grup[15] që thërret tek e mira,[16] urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja.[17] Pikërisht këta janë të shpëtuarit.[18]
  5. E mos u bëni si ata[19] që, pasi u erdhën provat e qarta[20], u përçanë dhe u kundërshtuan me njëri-tjetrin[21]. Për këta do të ketë dënim të madh.[22]
  6. Atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e të tjera do të nxihen. Sa për ata që do t’u nxihen fytyrat, (do t’u thuhet): “A mohuat pas besimit tuaj?![23] Atëherë shijoni dënimin për shkak se mohuat!”
  7. Kurse ata, të cilëve do t’u zbardhen fytyrat,[24] do të jenë mëshirën e Allahut[25], ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
  8. këto janë ajetet e Allahut,[26] të cilat t’i lexojmë ty (o Muhamed) me të vërtetën.[27] E, Allahu nuk dëshiron padrejtësi për askënd në botë.[28]

[1] Pas besimit tuaj në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[2] Kurani me provat dhe argumentet e qarta e të padiskutueshme., i cili iu shpall Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[3] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Pra, Allahu u ka dhënë provat më të mëdha për të besuar Atë, shpalljen dhe të dërguarin e Tij, prova me të cilat nuk mbet pikë dyshimi për vërtetësinë e asaj që vjen nga Allahu.

[4] Kushdo që kapet fort për fenë e Allahut dhe i bindet Atij.

[5] I është dhënë sukses nga Allahu që të ndjekë rrugë të qartë e të drejtë, pa shtrembërime, e cila të shpie në arritjen e kënaqësisë së Allahut, në shpëtimin nga dënimi i Tij dhe në fitoren me xhenetin e Tij.

[6] Ruajuni Allahut me bindje ndaj Tij dhe largim nga ndalesat e Tij.

[7] Të nënshtruar ndaj Allahut me bindje dhe sinqeritet.

[8] Kapuni që të gjithë për fenë e Allahut, Islamin, ashtu si ju ka urdhëruar dhe përmbushni besën tuaj që ua ka marrë në Librin që u ka zbritur, në Kuran. Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit. Qëndroni të bashkuar në fenë e Allahut dhe mos u ndani nga xhemati.

[9] Luftonit njëri-tjetrin dhe grabisnit pasurinë e njëri-tjetrit, për hir të fisit. Kjo ishte gjendja e arabëve para Islamit dhe para dërgimit të pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[10] Ju miqësoi dhe ju bashkoi në një fe, në Islam.

[11] Vëllezër në fe, miq e të dashur me njëri-tjetrin, një grusht i bashkuar kundër të gjithë armiqve.

[12] Nuk ju ndante nga zjarri veçse vdekja dhe sikur të kishit vdekur para se Allahu t’ju dërgonte të dërguarin e Tij dhe t’ju udhëzonte në Islam, ju do të futeshit në zjarrin e xhehenemit, sepse më parë ishit idhujtarë dhe vepronit vepra të këqia.

[13] Ju shpëtoi prej rënies në greminë dhe ju udhëzoi në Islam.

[14] O besimtarë!

[15] I mjaftueshëm, të cilët e përmbushin nevojën për gjërat që përmenden në vijin dhe për mjetet që i sigurojnë ato gjëra, siç është dija për mësimin e fesë dhe mësimin e saj të tjerëve,  xhihadi për mbrojtjen e fesë dhe të muslimanëve si dhe për ngritjen lart të Islamit dhe të Fjalës së Allahut.

[16] Që i thërret dhe i fton njerëzit në Islam dhe në ligjet e tij të vendosura nga Allahu.

[17] Urdhëron për bindje ndaj Allahut, për zbatim të urdhrave të Tij dhe për mirësi ndaj njerëzve, dhe ndalon nga idhujtaria e mosbesimi dhe nga veprat e shëmtuara e të këqia.

[18] Të shpëtuarit tek Allahu nga ajo që kishin frikë prej dënimit të Tij dhe fituesit e asaj që dëshironin: arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe qëndrimin përgjithmonë në xhenetet dhe mirësitë e Allahut.

[19] Prej ithtarëve të Librit.

[20] Dhe i panë, i njohën e i mësuan mirë ato.

[21] Në lidhje me fenë e Allahut, me urdhrat dhe ndalesat e Tij, duke qenë se e dinin të vërtetën.

[22] Nga Allahu në ditën e Kiametit. Prandaj, mos u përçani në fe, o besimtarë, dhe mos veproni si vepra e tyre, përndryshe do të bëheni si ata dhe do të keni përfundim të njëjtë me ata.

[23] Si zgjodhët mohimin dhe humbjen para besimit dhe udhëzimit?! Si zgjodhët rrugën e gabuar dhe latë rrugën e drejtë?! Si e mohuat njësimin e Allahut dhe shkelët besën që ju ka marrë: se nuk do t’i bëni shok Atij, por do të adhuroni vetëm Atë?! E të gjitha këto, pas besimit se Allahu është Zoti juaj i vetëm dhe se nuk ka zot tjetër përveç Tij.

[24] Ata të cilët e përmbushën besën e tyre që i dhanë Allahut dhe njësuan Allahun, iu bindën Atij, ndoqën të Dërguarin e Tij.

[25] Në xhenetin e Allahut dhe në të mirat e xhenetit që Allahu i ka përgatitur për banorët e tij.

[26] Provat e Allahut, këshillat e Tij, shpalljet e Tij, që të shpallen ty, o Muhamed.

[27] Ato përmbajnë të vërtetën dhe të sigurtën për të cilën nuk ka pikë dyshimi.

[28] Allahu jo vetëm që nuk bën padrejtësi, por as nuk e dëshiron atë ndaj askujt prej krijesave të Tij. Kur Allahu i ndëshkon disa prej kërijesave të Tij me nxirje të fytyrës dhe me dënim të madh dhe, kur i nderon të tjerë me zbardhje të fytyrës dhe shpërblim të madh, këtë nuk e bën në mënyrë të padrejtë ndaj askujt prej dy grupeve, por me vendim të drejtë dhe të merituar për veprat e secilit prej tyre, me urtësinë dhe mëshirën e Tij.

-63-

  1. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë,[1] dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet.[2]
  2. Ju jeni populli më i mirë që i ka ardhur njerëzimit;[3] urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja[4] dhe i besoni Allahut.[5] Sikur ithtarët e Librit të besonin[6], do të kishte qenë më mirë për ta.[7] Ka prej tyre që janë besimtarë[8], por shumica e tyre janë të pabindur.[9]
  3. Përveç ndonjë lëndimi, ata nuk mund t’ju dëmtojnë.[10] Edhe nëse ju luftojnë, do t’ja mbathin[11] dhe pastaj nuk do të ndihmohen.[12]
  4. Kudo që të gjenden, ata janë të kapluar nga poshtërimi,[13] përveç nëse u vjen ndonjë mbrojtje nga Allahu ose nga njerëzit.[14] Ata tërhoqën zemërimin e Allahut dhe do t’i kaplojë mjerimi. Kjo,[15] sepse ata mohonin provat e Allahut dhe vrisnin pejgamberët padrejtësisht. Kjo,[16] sepse ata thyen urdhrin (e Allahut) dhe kalonin kufijtë.[17]
  5. Megjithatë, ata nuk janë të gjithë njëlloj[18]. Disa prej ithtarëve të Librit janë në të drejtë[19]; gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut[20] duke bërë sexhde (duke u falur).[21]
  6. Ata besojnë Allahun dhe ditën e Fundit, urdhërojnë për mirë[22], ndalojnë nga e keqja dhe shpejtojnë në vepra të mira. Këta janë nga të mirët.[23]
  7. Çdo e mirë që të bëjnë, nuk do t’ju mohohet[24]. Allahu i di mirë të devotshmit.[25]

[1] Allahu nuk bën padrejtësi dhe nuk ka nevojë të bëjë padrejtësi, sepse gjithçka i përket Atij dhe Ai është Sunduesi i gjithçkaje që ekziston, ndryshe nga ai që bën padrejtësi për të marrë a për të arritur diçka që nuk i përket në mënyrë të padrejtë.

[2] E të gjitha krijesave të Tij; të mirëve e të këqijve, atyre që kanë vepruar mirë dhe atyre që kanë vepruar keq, dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas asaj që meriton, pa i bërë padrejtësi askujt.

[3] Populli më i mirë që ka krijuar Allahu dhe më i nderuar tek Ai.

[4] Urdhëron për bindje ndaj Allahut, për zbatim të urdhrave të Tij dhe për mirësi ndaj njerëzve, dhe ndalon nga idhujtaria e mosbesimi dhe nga veprat e shëmtuara e të këqia.

[5] Besoni Allahun dhe jeni të sinqertë në njësimin dhe adhurimin e Tij.

[6] Muhamedin dhe atë që iu shpall nga Allahu.

[7] Më e mirë për veten e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër para Allahut.

[8] Besojnë Muhamedin dhe atë që i është shpallur nga Allahu, dhe e ndjekin atë, siç ka qenë Abdullah ibën Selam dhe vëllai i tij, Thealebe ibën Seaje dhe vëllai i tij, e të tjerë prej ithtarëve të Librit, në kohën e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[9] Të dalë nga feja e tyre, sepse feja e jehudëve i mëson që të ndjekin atë që thuhet në Teurat dhe të besojnë Muhamedin si i Dërguari i Allahut te të gjithë njerëzit, dhe si vulë të vargut të pejgamberëve. Kurse feja e të krishterëve i mëson ata të ndjekin Inxhilin, ta besojnë atë dhe të besojnë atë që thuhet në Teurat, dhe që në të dy librat e tyre përshkruhen cilësitë e Muhamedit, emri i tij, dërgimi i Tij dhe se ai është i lajmëtari i Allahut. Por megjithë këtë, që të dy këto grupe, jehudët dhe të krishterët, e përgënjeshtrojnë profetësinë e Muhamedit, dhe me këtë ata nuk i janë bindur Allahut dhe kanë dalë nga feja e tyre që pretendojnë se ndjekin.

[10] Këta të pabindur prej ithtarëve të Librit, me mohimin e pejgamberit tuaj dhe përgënjeshtrimin e tij, nuk do të mund t’ju dëmtojnë aspak ju, o besimtarë muslimanë, përveç lëndimit që ndieni nga shirku i tyre, nga të dëgjuarit e mosbesimit të tyre, nga fjala që thonë për Isanë dhe nënën e tij.

[11] Nga frika, të mundur dhe të humbur.

[12] Nuk do të ndihmohen nga Allahu kundër jush, o besimtarë.

[13] Këtu bëhet fjalë veçanërisht për jehudët.

[14] Jehudët nuk mund të jetojnë veçse nën pushtetin e muslimanëve dhe në sigurinë e tyre, duke paguar xhizjen të përçmuar, ose nën pushtetin e të krishterëve.

[15] Ky ndëshkim ndaj jehudëve.

[16] Ky ndëshkim ishte gjithashtu për shkak se…

[17] Ky është ndëshkimi i tyre në këtë botë, kurse në botën tjetër do të jetë shumë më i rëndë, prandaj merrni mësim, o besimtarë, dhe mos u bëni si ata.

[18] Por ka prej tyre edhe besimtarë, të cilët besojnë Allahun, shpalljet e Tij dhe të gjithë të dërguarit e Tij, në mesin e të cilëve edhe Muhamedin dhe Kuranin që iu shpall atij.

[19] Në rrugën e drejtë, të kapur për Librin e Allahut, në bindje ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Bëhet fjalë për ata ithtarë të Librit që e besuan Muhamedin si të dërguar të Allahut dhe ndoqën Kuranin dhe traditën e Muhamedit.

[20] Lexojnë Kuranin dhe mendojnë e meditojnë në kuptimet e tij, në namaz dhe jashtë namazit.

[21] Në namazin e darkës (el isha- jacisë) dhe në namazin e natës në përgjithësi.

[22] Urdhërojnë njerëzit që të besojnë Allahun dhe të gjithë të Dërguarit e Tij, në mesin e të cilëve edhe Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), vulën e tyre.

[23] Radhiten në vargun e njerëzve të mirë e të afërm të Allahut.

[24] Por do të marrin shpërblimin nga Allahu për të.

[25] Allahu e di mirë se kush i ruhet Atij, kush i bindet urdhrave të Tij e kush i largohet ndalesave të Tij, dhe i ruan të gjitha veprat e tyre të mira që t’u japë shpërblimin për to.

-64-

  1. Atyre që mohojnë[1], nuk do t’ju bëjë aspak dobi tek Allahu, as pasuria as fëmijët e tyre.[2] Ata do të jenë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
  2. Ajo që shpenzojnë në jetën e kësaj bote,[3] është si shembulli i një ere të akullt, e cila godet të mbjellat e ndonjë populli që i ka bërë padrejtësi vetvetes,[4] dhe i shkatërron ato.[5] Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre,[6] por ata i bënë padrejtësi vetvetes.[7]
  3. Ju, o besimtarë! Mos zgjidhni për miq të afërm[8] njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj[9], sepse ata nuk neglizhojnë që t’ju bëjnë dëm dhe dëshirojnë që të vuani.[10] Urrejtja shfaqet qartë që në gjuhët e tyre,[11] kurse ajo që fshehin gjokset e tyre është edhe më e madhe.[12] Ne tashmë ua kemi sqaruar provat, nëse jeni që kuptoni.[13]
  4. Ja! Ju jeni që i doni ata,[14] kurse ata nuk ju duan juve,[15] dhe ju i besoni të gjitha Librat.[16] Kur ata ju takojnë, thonë: “Ne besojmë”[17], por kur janë vetëm,[18] nga mllefi ndaj jush[19], ata i kafshojnë majat e gishtave me dhëmbë. Thuaju: “Plasni me mllefin tuaj!”[20] Vërtet, Allahu di mirë gjithçka që gjendet në gjokse.[21]
  5. Nëse ju vjen ndonjë e mirë[22], ajo i keqëson[23] ata e, nëse ju kap ndonjë e keqe, ata gëzohen. Por, nëse ju duroni[24] dhe ruheni[25], kurthet e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.[26] Vërtet, Allahu përfshin[27] gjithçka që veprojnë ata.[28]
  6. Kujto kur[29] ti (o Muhamed) dole herët nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës e, Allahu është Gjithëdëgjues[30], i Gjithëditur[31].

[1] Ata që mohojnë profetësinë e Muhamedit, që e përgënjeshtrojnë atë dhe shpalljen që i ka ardhur nga Allahu.

[2] As pasuria që kanë grumbulluar në këtë botë as fëmijët e tyre, nuk do i mbrojnë nga dënimi i Allahut.

[3] Lëmosha që japin mohuesit e Allahut dhe të pejgamberit të Tij.

[4] Pronarët e të mbjellave kundërshtuan Allahun dhe tejkaluan kufijtë e Tij.

[5] Era e ftohtë i shkatërron dhe i asgjëson të mbjellat, për të cilat shpresonin se do t’i vilnin dhe të përfitonin prej tyre. Po kështu edhe ata që japin lëmoshë por janë mohues, lëmosha e tyre nuk u bën aspak dobi, sepse mohimi i tyre ua asgjëson veprat e mira që bëjnë.

[6] Me mospranimin e lëmoshës së tyre.

[7] Me mohimin e tyre.

[8] Shokë të dashur, të zgjedhur e këshilltarë tuaj, të cilëve u shfaqni të fshehtat.

[9] Jashtë rrethit të besimtarëve muslimanë.

[10] Nuk reshtin së vepruari shkaqet që ju sjellin dëm dhe vuajtje, duan t’ju nxjerrin nga feja juaj, ndihmojnë armikun tuaj kundër jush, etj.

[11] Të cilat shprehin mosbesimin dhe armiqësinë e tyre kundër atyre që besojnë.

[12] Ajo që fshehin në zemër ata njerëz që nuk janë të fesë tuaj, miqësinë me të cilët Allahu ua ka ndaluar, është edhe më e madhe se ajo armiqësi e mosbesim që shprehin me gjuhët e tyre, prandaj bindjuni Allahut dhe mos qëndroni larg tyre.

[13] U kemi këshilluar, o besimtarë, dhe u kemi sqaruar gjithçka në lidhje me ithtarët e Librit dhe të gjithë mohuesit, të cilët ua kemi ndaluar që t’i merrni për miq të dashur, me qëllim që të merrni mësim, nëse jeni që i kuptoni këshillat dhe mësimet e Allahut, urdhrat dhe ndalesat e Tij, dhe se dobia e këtyre u kthehet juve dhe ju jeni ata që përfitoni prej tyre.

[14] Ju, o besimtarë që merrni për miq njerëz të tjerë jashtë fesë suaj, i doni dhe tregoni dashuri për ta, kurse ata nuk ju duan juve, madje fshehin armiqësi ndaj jush dhe mashtrim.

[15] Këtu tregohet edhe një herë për butësinë dhe mëshirën e besimtarëve me kundërshtarët e tyre, dhe për ngurtësinë e zemrave të mohuesve dhe urrejtjen e tyre ndaj besimtarëve.

[16] Librat e zbritur nga Allahu, kurse ata nuk i besojnë të gjitha Librat e Allahut, dhe ju e dini se me këtë gjë, ata kanë mohuar Allahun dhe shpalljet e Tij, kështu që juve ju takon më shumë që të shfaqni armiqësi e urrejtje kundër tyre, se sa ata kundër jush, sepse ata janë armiqtë tuaj dhe të Allahut. Andaj, mos i merrni kurrë miq ata.

[17] Besojmë atë që i është shpallur Muhamedit. E thonin këtë nga frika dhe për t’u ruajtur nga besimtarët.

[18] Larg shikimit dhe prezencës së besimtarëve.

[19] Kur ju shohin të bashkuar dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

[20] Këtu përgëzohen besimtarët me faktin se mosbesimtarët janë ata të cilët vuajnë dhe plasin nga brenda kur shohin suksesin e besimtarëve në ndjekjen e rrugës së drejtë, dhe do të vazhdojnë të dënohen deri sa të vdesin për të kaluar pastaj nga dënimi i kësaj bote në dënimin më të madh në botën tjetër.

[21] Dhe e di se çfarë fshehin këta jehudë e hipokritë në gjokset e tyre, prej mohimit dhe armiqësisë e urrejtjes ndaj besimtarëve, dhe ua regjistron ato për t’i dënuar me to në botën tjetër.

[22] Siç është fitorja kundër armiqve në luftë, hyrja e njerëzve në fenë tuaj,etj.

[23] I mërzit dhe i hidhëron.

[24] Në bindje ndaj Allahut.

[25] I ruheni Allahut dhe keni frikë daljen para Tij.

[26] Madje Allahu ua kthen kurthet e tyre vetë atyre.

[27] Me dijen dhe fuqinë e Tij, dhe nuk i shpëton asgjë.

[28] Pastaj i jep dënimin që meritojnë.

[29] Këtu bëhet fjalë për luftën e Uhudit, ku muslimanët e humbën betejën për shkak se disa prej tyre kundërshtuan urdhrin e Pejgamberit dhe nuk duruan, por vrapuan pas plaçkës së luftës kur menduan se armiku u mund dhe u tërhoq, por ai ishte një kurth në të cilin ata ranë si rezultat i thyerjes së urdhrit të Pejgamberit dhe vrapimit pas dynjasë. Muslimanët morën një mësim të madh në këtë luftë dhe nuk e përsëritën më kurrë gabimin e tyre, por vazhduan gjithnjë me vendosmëri në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij, deri sa Allahu u dha triumfin dhe njerëzit filluan të hyjnë në Islam grumbuj-grumbuj.

[30] Dhe dëgjon çdo gjë që të thonë besimtarët në konsultimin tënd me tan ë lidhje me strategjinë e luftës.

[31] E di mirë se cilat prej mendimeve të tyre është më i mirë për ta dhe se çfarë fshehin ata në gjokset e tyre.

-65-

  1. Kur dy grupe nga ju menduan të ktheheshin[1], por Allahu ishte Mbrojtësi i tyre,[2] prandaj besimtarët të mbështeten vetëm te Allahu![3]
  2. Allahu ju ndihmoi në Bedër[4] kur ishit pak në numër,[5] andaj kini frikë Allahun, për të qenë falënderues.[6]
  3. Atëherë[7] kur ti (Muhamed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton që Zoti juaj t’ju përforcojë me tre mijë engjëj të zbritur?”[8]
  4. Po! Madje nëse duroni dhe i ruheni Allahut e, ata ju sulmojnë menjëherë pas kësaj[9], Zoti juaj ju përforcon me pesë mijë engjëj të shënuar.[10]
  5. Allahu nuk e bëri këtë, veçse për t’ju dhënë lajm të mirë dhe që t’ju qetësojë zemrat me të.[11] Fitorja nuk vjen, veçse nga Allahu,[12] i Plotëfuqishmi,[13] i Urti.[14]
  6. (Po kështu[15]), që të asgjësojë një pjesë të atyre që nuk besuan[16] apo t’i turpërojë ata,[17] e të kthehen të dështuar[18].
  7. Ti (Muhamed) nuk ke asgjë në dorë[19]; ua pranon Ai pendimin[20] apo i dënon, ata janë të padrejtë.[21]
  8. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë.[22] Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.
  9. Ju, o besimtarë! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[23] dhe kini frikë Allahun[24], që të shpëtoni!
  10. Kini frikë zjarrin,[25] i cili është përgatitur për mosbesimtarët![26]
  11. Bindjuni Allahut[27] dhe të të Dërguarit, që të mëshiroheni.[28]

[1] Në luftën e Uhudit, pas konsultimit dhe diskutimit, muslimanët vendosën të dalin nga Medina dhe ta presin armikun jashtë saj. Ata dolën me 1000 ushtarë, nga të cilët Abdullah ibë  Ubej hipokriti, u kthye në mes të rrugës bashkë me 300 vetë që ishin hipokritë si ai dhe prej tij. Në këtë kohë, dy fise prej muslimanëve, Benu Seleme dhe Benu Harithe, u lëkundën dhe vendosën të kthehen nga frika, por Allahu i ruajti ata dhe u dha vendosmëri.

[2] Miku i tyre i dashur, i Cili i ruajti ata nga rrëshqitja dhe i forcoi zemrat dhe gjunjtë.

[3] Me zemrat e tyre, duke kërkuar dhe shpresuar vetëm nga Ai që t’u largojë të këqiat dhe t’u japë të mirat, me besim të patundur tek Allahu.

[4] Në vendin e quajtur Bedër, apo në burimin e quajtur me këtë emër. Është fjala për luftën që ndodhi në atë vend, luftën e Bedrit.

[5] Por të mbështetur tek Allahu dhe duke qenë të bindur ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij.

[6] Kini frikë Allahun, sepse frika ndaj Tij është flaënderim për mirësitë e Tij.

[7] Në kohën e luftës së Bedrit.

[8] Të dërguar nga Allahu. Nuk ka argument të qartë ku të thuhet se këta tre mijë engjëj që Allahu u premtoi besimtarëve të jenë dërguar në ndonjë luftë të caktuar, po kështu as për dërgimin e pesë mijë engjëjve, përveç asaj që thuhet në suren el Enfal, 9, në lidhje me luftën e Bedrit: “Kur ju i kërkuat ndihmë Zotit tuaj, Ai iu përgjigj lutjes suaj: “Unë do t’ju përforcoj me një mijë engjëj njëri pas tjetrit.” Megjithatë, dërgimi i këtij numri engjëjsh, ose më shumë apo më pak, qëndron të jetë premtim nga Allahu për atë ushtri muslimane të cilët plotësojnë kushtet e përfitimit nga ky premtim: durimin dhe devotshmërinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij e, Allahu nuk e thyen premtimin e Vet.

[9] Pas luftës së Bedrit, në të cilën armiqtë pësuan disfatë të madhe.

[10] Me shenjën e trimërisë. Por kushti i përfitimit nga ky premtim është: durimi dhe devotshmëria, siç thuhet në ajet.

[11] Dhe të mos trembeni nga armiku, numri i madh dhe armatimi i tij, sepse fuqia dhe fitorja është në dorë të Allahut.

[12] Por edhe nëse Allahu iu përforcon me engjëj dhe ju triumfoni mbi armikun tuaj, ai triumf nuk është nga engjëjt, por vetëm nga Allahu, prandaj vetëm tek Allahu mbështetuni dhe vetëm prej Tij kërkoni ndihmë, dhe mos u mbështetni te numri i madh i juaji apo i engjëjve.

[13] Në ndëshkimin e mohuesve me duart e miqve të Tij besimtarë.

[14] Në rregullimin e gjërave në favorin tuaj, o besimtarë, kundër armiqve tuaj mohues, dhe në të gjitha çështjet e Tij.

[15] E bëri këtë: ndihmën që ju dha në luftën e Bedrit.

[16] Në luftën e Bedrit u vranë disa prej kokave të së keqes, të mohimit dhe idhujtarisë, armiq të muslimanëve.

[17] Me humbjen e madhe, ndërkohë që prisnin një fitore të sigurtë kundër ushtrisë së vogël muslimane.

[18] Pa ju shkaktuar asgjë të keqe nga ajo që kishin planifikuar.

[19] Në lidhje me krijesat e Allahut, përveç zbatimit të urdhrit të Allahut mes tyre dhe t’i urdhërosh që t’i binden Allahut, kurse çështja e tyre është në Dorë të Allahut, vetëm Allahu gjykon mes tyre dhe vepron me Vullnetin e Vet absolut.

[20] I udhëzon në Islam dhe ua pranon pendimin nga mohimi dhe idhujtaria, me urtësinë e Tij.

[21] Dhe meritojnë çdo dënim që mund t’u japë Allahu. Në luftën e Uhudit, armiqtë idhujtarë e plagosën Pejgamberin me disa plagë, dhe ai mendoi të bënte lutje kundër tyre, duke thënë: “Si mund të shpëtojë një popull i cili gjakosi fytyrën e pejgamberit të tij, që i thërret për tek Allahu kurse ata e thërrasin për tek djalli, që i thërret në udhëzim kurse ata në humbje, që i thërret për në xhenet kurse ata për në zjarr?!” Dhe gati sa nuk bëri lutje kundër tyre me mallkim, por Allahu i shpalli atij këtë ajet, dhe ai nuk i mallkoi. [Taberiu]. Në mesin e atyre idhjtarëve kishte edhe prej tyre që më pas pranuan Islamin dhe u bënë muslimanë të mirë.

[22] Për gjynahet dhe krimet e tyre.

[23] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit: kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri për në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte ta kthente, i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[24] Në çështjen e kamatës dhe në çdo urdhër e ndalesë të Allahut, dhe bindjuni Allahut, që të shpëtoni nga dënimi i Tij dhe të fitoni xhenetin e Tij.

[25] Ku mund të futeni për shkak të ngrënies së kamatës, pasi Allahu jua ka ndaluar atë.

[26] Zjarri i xhehenemit është përgatitur për mohuesit e Allahut, prandaj mos e thyeni Urdhrin Tim dhe mos e lëni bindjen ndaj Meje pas besimit tuaj, sepse përndryshe do të futeni në zjarrin e përgatitur për mohuesit!

[27] O besimtarë, bindjuni Allahut në çdo gjë që ju ndalon prej praktikimit të kamatës dhe çdo ndalese tjetër, dhe bindjuni të Dërguarit, Muhamedit gjithashtu, në çdo gjë që ju urdhëron e ju ndalon, sepse ai nuk flet nga vetja e tij, por me urdhër nga Allahu.

[28] Që të mëshiroheni nga Allahu dhe të mos dënoheni nga Ai.

-66-

  1. Shpejtoni drejt faljes[1] nga Zoti juaj dhe Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur për të devotshmit.[2]
  2. Ata të cilët japin në të mirë[3] e në të keq[4], mposhtësit e zemërimit[5] dhe falësit e njerëzve.[6] E, Allahu i do bamirësit.[7]
  3. Ata të cilët, kur bëjnë ndonjë vepër të turpshme[8] apo i bëjnë padrejtësi vetvetes[9], kujtojnë Allahun[10] dhe menjëherë i kërkojnë falje për gjynahet e tyre[11] –e kush mund t’i falë gjynahet përveç Allahut?[12] –dhe nuk vazhdojnë me vetëdije në atë që kanë bërë.[13]
  4. Shpërblimi i të atillëve është falja[14] nga Zoti i tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë[15]!
  5. Para jush ka pasur shumë shembuj (nga popujt e mëparshëm)[16], prandaj silluni nëpër tokë dhe shihni si ka qenë përfundimi i përgënjeshtruesve[17]!
  6. Ky[18] është sqarim për njerëzit, udhëzim[19] dhe këshillë për të devotshmit.
  7. Mos u ligështoni dhe mos u trishtoni,[20] sepse ju jeni më të lartët,[21] nëse jeni besimtarë të vërtetë.[22]
  8. Nëse ju godet ndonjë plagë,[23] edhe ata njerëz janë goditur me plagë të tilla më parë, por këto ditë[24] (fitoreje e humbjeje), Ne i ndërrojmë mes njerëzve[25], që Allahu t’i dallojë ata që besojnë[26] dhe disa nga ju t’i marrë dëshmorë[27]. Allahu nuk i do të padrejtët.[28]

[1] Në kryerjen e atyre gjërave që ju sigurojnë falje dhe fshirje të gjynaheve nga Zoti juaj, me mëshirën e Tij.

[2] Veprat e kryera me devotshmëri ndaj Allahut janë ato që të çojnë drejt xhenetit, dhe cilësitë e të devotshmëve janë ato që përmenden në ajetin në vijim.

[3] Kur janë në gjendje të mirë financiare dhe bëjnë jetë të rehatshme.

[4] Kur janë në gjendje të keqe financiare dhe bëjnë jetë të vështirë e të mundimshme.

[5] Ata që e mbajnë veten në rast zemërimi dhe nuk e shfryjnë zemërimin e tyre edhe pse kanë mundësi për këtë.

[6] Që ua falin njerëzve një të keqe që u kanë bërë edhe kur kanë mundësi të hakmerren.

[7] Allahu i do ata të cilët i kryejnë këto vepra që janë cilësi të të devotshmëve, për të cilët Allahu ka përgatitur kopshtet e xhenetit. Vepruesit e këtyre veprave janë bamirës, vepërmirë, që bëjnë mirë dhe vepra të mira.

[8] Vepër të ndaluar, mëkat, imoralitet, dalje nga kufijtë e përcaktuar në çdo gjë qoftë.

[9] Duke vepruar vepra që nuk duhet t’i vepronin prej shkeljes së ligjeve të Allahut, gjë me të cilën i shkaktojnë vetes ndëshkimin e Allahut.

[10] Dhe dënimin e përcaktuar nga  Ai për ata që shkelin ligjet e Tij.

[11] I kërkojnë Allahut që t’ua falë gjynahet dhe të mos i dënojë për to.

[12] Askush nuk i fal gjynahet përveç Allahut dhe ata e dinë këtë.

[13] Nuk këmbëngulin në bërjen e gjynaheve duke e ditur se janë gjynahe, pa u penduar dhe pa kërkuar falje për to.

[14] Falja e gjynaheve nga Allahu dhe mosndëshkimi për to.

[15] Atyre që punojnë mirë për Hir të Allahut.

[16] Në popujt e mëparshëm që ka dërguar Allahu, ka shembuj për të dy grupet: grupit të besimtarëve dhe grupit të mohuesve. Besimtarët gjithnjë janë sprovuar me sprova të ndryshme për të vërtetuar qëndrueshmërinë  e tyre në besim dhe për t’u pastruar nga gjynahet, kurse mohuesit i kanë luftuar besimtarët dhe të dërguarit e Allahut, por në fund triumfi ka qenë i të dërguarve të Allahut dhe ndjekësve të tyre besimtarë. Prandaj, o besimtarë që morët pjesë në luftën e Uhudit ku pësuat humbje, mos u dëshpëroni dhe mos u trishtoni për këtë, sepse ju keni shembuj në besimtarët e popujve të mëparshëm, dhe duhet të jeni të bindur se përfundimi i përgënjeshtruesve do të jetë humbja e rëndë në të dyja botët.

[17] Të të dërguarve të Allahut. Përfundimi i tyre ka qenë gjithnjë poshtërimi dhe humbja, kurse fitorja dhe triumfi ka qenë gjithnjë për të dërguarit e Allahut dhe ndjekësit e tyre.

[18] Këto që u përmendën më sipër.

[19] Në rrugën e drejtë dhe në fenë e vërtetë.

[20] O shokët e Muhamedit, nga ajo që pësuat prej armikut tuaj në Uhud.

[21] Do të triumfoni ndaj tyre dhe do t’i mundni ata.

[22] Nëse e besoni të Dërguarin Tim në ato që u premton dhe që ju njofton në lidhje me përfundimin tuaj dhe të armiqve tuaj.

[23] Ndonjë plagosje apo vrasje në luftën me armiqtë, në Uhud.

[24] Si dita e Bedrit, me fitore të muslimanëve dhe si dita e Uhudit, me humbje të tyre.

[25] Mes muslimanëve dhe jomuslimanëve, duke i dhënë fitore herë këtyre dhe herë atyre; kur muslimanët i plotësojnë kushtet e ndihmës nga Allahu, ata triumfojnë mbi armiqtë e tyre dhe në të kundërt, atyre nuk u premtohet fitorja, siç e pamë më parë.

[26] Në mënyrë që të dallohen besimtarët nga hipokritët, Allahu i sprovon njerëzit dhe nuk ua jep triumfin gjithnjë besimtarëve, sepse përndryshe do të hynin në fe edhe ata që nuk e duan atë. Këtu nuk është për qëllim që t’i dallojë e t’i dijë Allahu se kush janë ata që besojnë, sepse Allahu di gjithçka në hollësi për çdo krijesë, që para se ta krijonte, por është për qëllim që të dallohen nga njerëzit dhe të jenë argument i dëshmuar nga ata në botën tjetër.

[27] Të nderojë me gradën e dëshmorit atë që Ai dëshiron të nderojë me këtë gradë të lartë.

[28] Ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetvetes duke shkelur ligjet e Allahut dhe duke mos marrë pjesë në luftë në rrugë të Allahut.

-67-

  1. Dhe që Allahu t’i provojë besimtarët[1] dhe t’i shuajë jobesimtarët.[2]
  2. A menduat[3] se do të hyni në xhenet, pa i dalluar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i dalluar durimtarët?[4]
  3. Ju e dëshironit vdekjen[5] para se të ballafaqoheshit me të dhe ja, tashmë e patë me sytë tuaj.[6]
  4. Muhamedi nuk është tjetër, veçse i Dërguar, para të cilit kanë ardhur të gjithë të dërguarit e tjerë.[7] Nëse ai vdes apo vritet, a mos do të zmbrapseni[8]? E, kushdo që zmbrapset,[9] nuk do t’i bëjë aspak dëm Allahut.[10] E, Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.[11]
  5. Asnjë shpirti nuk i takon të vdesë, veçse me lejen e Allahut,[12] në afatin e përcaktuar. Kush dëshiron të mirat e kësaj bote[13], Ne do i japim prej saj,[14] dhe kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër,[15] Ne do i japim prej saj.[16] Ne do t’i shpërblejmë falënderuesit.[17]
  6. Sa e sa pejgamberë kanë luftuar bashkë me ndjekës të shumtë[18] dhe kurrë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugë të Allahut,[19] as nuk u dobësuan[20] e as nuk u nënshtruan[21]. Allahu i do të durueshmit.[22]
  7. Ata nuk thonin fjalë tjetër[23] përveç fjalës: “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona[24] dhe teprimin në punën tonë,[25] na jep vendosmëri[26] dhe na ndihmo kundër popullit mohues!”[27]
  8. Dhe Allahu u dha atyre shpërblimin e kësaj bote[28] dhe shpërblimin më të mirë në botën tjetër.[29] Allahu i do punëmbarët.[30]

[1] Për t’u dalluar ata që janë të sinqertë e me besim të saktë nga ata që janë hipokritë.

[2] T’i pakësojë e t’i asgjësojë, apo t’u zbulojë mohimin që mbajnë të fshehur në zemrat e tyre për t’u ruajtur nga ju, dhe kështu ju do t’i luftoni ata dhe ata do të shuhen.

[3] O shokët e Muhamedit, dhe ju besimtarë në përgjithësi.

[4] Pa ia bërë të qartë robërve të Mi besimtarë se kush është luftëtar në rrugën Time dhe kush nuk është, se kush është durimtar në sprovat e Mia dhe kush nuk është, për ta ditur se xheneti nuk arrihet lehtë, sepse vlera e tij është e madhe dhe puna për të arritur atë duhet të jetë gjithashtu e madhe dhe e vështirë.

[5] Shkakun e vdekjes, d.m.th. luftën.

[6] E patë atë që dëshironit, në luftën e Uhudit. Shumë prej shokëve të Pejgamberit, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Bedrit, dëshironin që Allahu t’u mundësonte një luftë tjetër ku të bënin të gjitha përpjekjet e tyre dhe të merrnin shpërblimin e madh nga Allahu.

[7] Muhamedi është një prej të Dërguarve të Allahut, prej vargut të tyre dhe vula e tyre, pas të cilit nuk ka më të dërguar tjetër, por vetëm dijetarë që u mësojnë njerëzve fenë e Allahut. Ashtu si edhe të gjithë të dërguarit para Muhamedit, të cilët janë robër të Allahut dhe krijesa të Tij, edhe Muhamedi do të vdesë në afatin e përcaktuar nga Allahu, prandaj ju, o shokët e Muhamedit, nuk keni pse të llahtariseni e të brengoseni nëse atij i vjen vdekja. Këtu u tërhiqet vërejtja atyre besimtarëve që morën pjesë në luftën e Uhudit, dhe kur dëgjuan se Muhamedi u vra, i kthyen shpinën armikut dhe e lanë luftën.

[8] A do të dezertoni nga feja juaj, me të cilën Allahu dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pasi që iu bë e qartë e vërteta e thirrjes së tij dhe e besuat atë dhe shpalljen që i shpallej nga Allahu?

[9] Kushdo që del nga feja dhe kthehet në mohim pas besimit të tij.

[10] Nuk e dobëson fuqinë e Allahut dhe as pushtetin e Tij, por ai dëmton vetveten me mosbesimin e tij.

[11] Ata të cilët qëndrojnë të patundur në fenë e Allahut me mirësinë e Allahut dhe e falënderojnë Allahun për mirësitë e Tij të pafundme.

[12] As Muhamedi dhe asnjë prej krijesave të Allahut nuk mund të vdesë veçse pasi të plotësojë afatin e përcaktuar nga Allahu për vdekjen e tij dhe, kur plotësohet afati i caktuar dhe Allahu jep lejë për vdekjen, atëherë ai vdes. Ndërsa para afatit të përcaktuar nga Allahu, askush nuk mund të vdesë edhe sikur e gjithë bota ngrihet për ta vrarë.

[13] Me veprat e tij, dhe nuk kërkon atë që është tek Allahu.

[14] Aq sa i është caktuar prej riskut në ditët e jetës së tij në dynja, kurse në të mirat e botës tjetër ai nuk do të ketë pjesë.

[15] Kush dëshiron atë që është tek Allahu, të cilën Allahu e ka përgatitur për ata që punojnë për botën tjetër.

[16] Prej shpërblimit të madh të Allahut në botën tjetër, shpërblim me të cilin Allahu ka veçuar ata që i binden Atij.

[17] Shpërblimi me të mirat e botës tjetër do të jetë për ata që veprojnë në bindje ndaj Allahut dhe janë falënderues e jo mosmirënjohës.

[18] Të cilët u edukuan nga pejgamberët në besim dhe vepra të mira.

[19] Nuk e lanë kurrë xhihadin edhe pse merrnin plagë, vriteshin e sakatoheshin nga armiqtë e Allahut, as pas vdekjes së pejgamberit të tyre.

[20] Me vdekjen e pejgamberit të tyre, por qëndruan të fortë dhe vazhduan me vendosmëri t’i bëjnë qëndresë armikut.

[21] Nuk iu nënshtruan armikut të tyre me hyrjen e në fenë e tij apo me lajkatimin e tij prej frikës, por vazhduan të ecin me bindje dhe vendosmëri në rrugën e pejgamberit të tyre, duke duruar në zbatimin e urdhrit të Allahut dhe të pejgamberit të tyre, në bindje ndaj Allahut dhe në zbatim të shpalljes së Tij.

[22] Allahu i do këta besimtarë me këto cilësi, të cilët durojnë në zbatimin e urdhrave të Tij dhe në bindjen ndaj Tij e ndaj të Dërguarit të Tij, në xhihad dhe gjithmonë.

[23] Kur u vdiste pejgamberi i tyre.

[24] Të vogla.

[25] Gjynahet e mëdha.

[26] Na forco dhe na bëj të qëndrueshëm në luftën kundër armikut Tënd dhe armikut tonë, dhe mos na bëj prej atyre që mposhten dhe dezertojnë nga fronti.

[27] Na ndihmo kundër popullit që mohon Njësimin Tënd dhe profetësinë e Pejgamberit Tënd. Këtu u tërhiqet vërejtja atyre besimtarëve të cilët u larguan nga lufta e Uhudit kur dëgjuan fjalën e gënjeshtërt se Muhamedi ishte vrarë. Atyre u thuhet se duhet të kishin vepruar ashtu si kanë vepruar ndjekësit e Pejgamberëve të mëparshëm.

[28] Fitoren kundër armikut, pushtetin në tokë, etj.

[29] Arritjen e kënaqësisë së Zotit të tyre, xhenetin dhe mirësitë e tij, si shpërblim të veprave të tyre në dynja.

[30] Në adhurimin e Krijuesit të tyre dhe në sjelljen me krijesat, dhe prej veprës së mbarë është që në xhihad të veprohet ashtu si vepruan këta që cilësohen në këto ajete.

-68-

  1. Ju, o besimtarë! Nëse u bindeni atyre që mohojnë[1], ata do t’ju zmbrapsin[2] e ju do të ktheheni[3] të humbur.[4]
  2. Por, Allahu është Mbrojtësi juaj[5] dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.[6]
  3. Ne[7] do të fusim tmerr në zemrat e atyre që mohojnë,[8] për shkak se i shoqërojnë Allahut gjëra për të cilat Ai nuk ka zbritur asnjë argument.[9] Vendkthimi i tyre është zjarri.[10] E, nuk ka banesë më të keqe se ajo e të padrejtëve.[11]
  4. Allahu e përmbushi premtimin e Vet,[12] kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun, deri sa ju humbët kurajën, u grindët midis jush[13] dhe thyet urdhërin[14], pasi Ai ju tregoi atë që donit.[15] Disa nga ju dëshirojnë këtë botë[16] kurse të tjerë dëshirojnë botën tjetër[17]. Pastaj, Ai ju zmbrapsi para tyre për t’ju sprovuar,[18] por sigurisht që më pas ua fali atë gabim.[19] Allahu ka mirësi të madhe ndaj besimtarëve.[20]
  5. Kur ju morët malin[21] dhe nuk i vinit vesh askujt,[22] e i Dërguari ju thërriste nga mbrapa,[23] Ai iu ndëshkoi me ankth pas ankthi,[24] që të mos mërziteni as për atë që ju doli duarsh,[25] as për atë që ju goditi.[26] Allahu njeh në hollësi gjithçka që ju punoni.[27]

[1] Profetësinë e pejgamberit tuaj, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), prej jehudëve dhe të krishterëve.

[2] Nga feja juaj dhe do t’ju kthejnë në mosbesim pas besimit tuaj.

[3] Nga feja dhe besimi juaj në të cilin ju ka udhëzuar Allahu.

[4] E të shkatërruar, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[5] Ndihmuesi juaj kundër armiqve tuaj mohues, dhe Ai ju shpëton nga bindja ndaj mohuesve dhe nga çdo humbje, prandaj vetëm Allahut bindjuni dhe vetëm Fjalën e Tij dëgjoni.

[6] Prandaj vetëm nga Allahu kërkoni ndihmë dhe nga askush tjetër.

[7] Allahu i Madhëruar.

[8] Allahun dhe pejgamberin e Tij, prej atyre që ju luaftuan në Uhud.

[9] Për shkak se adhuronin idhujt dhe i bindeshin djallit, pa pasur ndonjë argument apo provë nga Allahu.

[10] Zjarri i xhehenemit në botën tjetër.

[11] Të cilët i bënë padrejtësi vetvetes me kryerjen e veprave që meritojnë dënimin e Allahut.

[12] Premtimin që ju dha me gjuhën e Muhamedit, në Uhud, kur u tha harkëtarëve: “Qëndroni në vendet tuaja dhe mos i lëshoni ato në asnjë mënyrë, edhe sikur të na shihni që e mundëm armikun dhe e vumë para. Ne do të vazhdojmë të jemi triumfatorë përderisa ju qëndroni në vendet tuaja.” Dhe pejgamberi u premtoi atyre fitoren, nëse ata do të qëndronin në vendet e tyre.

[13] Në lidhje me premtimin e Allahut.

[14] E Pejgamberit tuaj. Janë për qëllim harkëtarët, të cilët Pejgamberi i urdhëroi të qëndronin në vendet e tyre në grykën e Uhudit dhe të mos i linin vendet në asnjë mënyrë.

[15] Prej tërheqjes së armiqve dhe plaçkës së lënë pas nga ata. Kjo ndodhi në fillim të luftës së Uhudit, para se harkëtarët të linin vendet e tyre dhe para se kalorësia e armikut t’i vinte nga pas ushtrisë besimtare.

[16] Ata të cilët lanë vendet e tyre që u caktoi Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[17] Ata harkëtarë, të cilët qëndruan dhe nuk i lanë vendet e tyre që u caktoi Pejgamberi.

[18] Dhe për t’ju dhënë mësim, që të mos e thyeni më kurrë urdhrin e Allahut dhe as të Pejgamberit të Tij.

[19] Dhe nuk ju shoi të gjithëve në duart e armikut.

[20] Ua fal atyre shumë prej gjynaheve për të cilat meritojnë dënimin e Tij dhe nëse i dënon me diçka prej tyre, kjo është e mirë për ta, sepse kur besimtarin e kap një e keqe, ai duron dhe kjo është e mirë për të, dhe kur e kap një e mirë, ai falënderon dhe kjo është e mirë për të. Mirësitë e Allahut ndaj besimtarëve janë të panumërta, por mirësia më e madhe është mirësia e besimit dhe udhëzimit në Islam.

[21] Duke ia mbathur nga armiku, në luftën e Uhudit.

[22] Nuk dëgjonit e nuk shihnit askënd, por secili kërkonte të shpëtonte kokën e vet, ndërkohë gjendja nuk kishte shkuar deri këtu, dhe ata që ikën nuk ishin në vijë të parë të frontit.

[23] Duke iu thënë: “Ejani tek unë, robër të Allahut!” Por ata nuk u ngjitën tek ai dhe as që ia hodhën shikimin.

[24] Siç ishte humbja e fitores ndaj besimtarëve dhe humbja e plaçkës së tyre, numri i madh i të vrarëve nga pala e tyre, i cili arriti në 70 të vrarë, dhe mbi të gjitha, fjala se pejgamberi u vra.

[25] Prej plaçkës së armikut dhe triumfit ndaj tyre.

[26] Në humbjen e luftës, në plagët e marra në të, në humbjen e shokëve të cilët u vranë. Por kur ata mësuan se Pejgamberi ishte gjallë, iu bënë të lehta të gjitha ankthet dhe humbjet që pësuan. Ky ishte një mësim për besimtarët, që të duronin në fatkeqësi dhe të përballonin çdo vështirësi.

[27] Dhe ju shpërblen sipas veprave tuaja: punëmirit me të mirë dhe punëkeqit me të keqe, ose ia fal të këqiat.

-69-

  1. Pastaj, pas ankthit tuaj, Ai ju zbriti siguri: përgjumje, e cila kaploi një grup prej jush[1]. Kurse grupi tjetër (hipokritët) ishin në merak për veten e tyre[2], duke menduar për Allahun të pavërtetën, bindjet e injorancës.[3] Ata thoshin: “A kemi shtënë në dorë ndonjë gjë prej kësaj çështje (fitores së premtuar)?”[4] Thuaju: “Të gjitha çështjet janë në Dorë të Allahut!”[5] Ata fshehin në vete gjëra që nuk t’i shfaqin ty.[6] Ata thoshin: “Sikur të kishim ne ndonjë gjë në dorë për këtë çështje[7], nuk do të vriteshim këtu.”[8] Thuaju: “Edhe sikur të kishit qenë në shtëpitë tuaja[9], atyre që u ishte caktuar vrasja, do të dilnin në vendin e flijimit të tyre.”[10] Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në gjokset tuaja[11] dhe për të dalluar atë që keni në zemrat tuaja.[12] Allahu di mirë se ç’ka në gjokse.[13]
  2. Vërtet, ata që u zmbrapsën prej jush[14] ditën kur u ndeshën dy ushtritë,[15] në të vërtetë i shtyu djalli në rrëshqitje[16] për shkak të disa gjynaheve që kishin bërë. Por, Allahu ua fali atyre.[17] Allahu është Falës i madh[18], i Butë.[19]
  3. Ju, o besimtarë! Mos u bëni si ata që mohuan[20] dhe u thoshin vëllezërve të tyre[21], kur këta niseshin për udhëtim[22] ose në luftë: “Sikur të rrinin te ne, as nuk do të vdisnin, as nuk do të vriteshin.” Për ta bërë Allahu këtë gjë[23] pikëllim në zemrat e tyre.[24] Allahu është Ai që jep jetë dhe që merr jetë.[25] Allahu sheh gjithçka që veproni ju.[26]
  4. Edhe nëse ju[27] vriteni ose vdisni në rrugë të Allahut,[28] falja dhe mëshira nga Allahu, padyshim se janë më të mira nga ajo që grumbullojnë ata.[29]

[1] Besimtarët e sinqertë e të devotshëm dhe jo hipokritët e të pështjelluarit, sepse siguria e përgjumja nuk i vjen atij që është i frikësuar e në ankth, siç janë hipokritët e të pështjelluarit në çështjen e tyre.

[2] Kishin frikë nga vdekja.

[3] Ashtu si mendonin idhujtarët e kohës së injorancës, duke dyshuar tek Allahu dhe te profetësia e Pejgamberit të Tij, dhe duke menduar se Allahu e la në baltë Pejgamberin e Tij dhe ngriti mohuesit mbi të.

[4] Me kuptimin se nuk kemi triumfuar ashtu si na është premtuar nga Allahu dhe nga i Dërguari i Tij; duke menduar keq për Allahun dhe duke hedhur dyshime në çështjen e fesë së Tij. Ata mendoni se Allahu nuk do ta përmbushte çështjen e të Dërguarit të Tij dhe se humbja në Uhud do të ishte asgjësimi i pakthyeshëm i fesë së Allahut!

[5] Të gjitha çështjet ndodhin me paracaktimin e Allahut dhe me Vullnetin e Tij, dhe në fund, fitorja do të jetë e miqve të Allahut dhe atyre që i binden Atij, edhe nëse u ndodh ajo që u ndodhi në Uhud.

[6] Ajo që ata fshehnin ishte fjala në vazhdim.

[7] Sikur të na merrej mendimi dhe të na dëgjohej fjala në lidhje me daljen tek armiku, në Uhud.

[8] Nuk do të dilnim të luftonim ata që luftuam e na vranë në Uhud.

[9] Dhe të mos kishit dalë për të luftuar bashkë me besimtarët, gjë e cila do t’u zbulonte besimtarëve hipokrizinë tuaj.

[10] Atyre që u ishte caktuar vrasja, do t’u shfaqej vendi ku do të vdisnin dhe do të dilnin nga shtëpitë e tyre e do të shkonin te vendi ku u ishte caktuar të vdisnin.

[11] Për të nxjerrë në pah atë që fshihni në gjokse, o ju hipokritë,që besimtarët ta shohin hapur hipokrizinë tuaj.

[12] Në mënyrë që besimtarëve t’u bëhet e qartë ajo që fshehni në zemrat tuaja prej armiqësisë dhe urrejtjes për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe vetë ata.

[13] Dhe nga dija e urtësia e Tij absolute është se Ai ka caktuar shkaqe dhe mjete me anë të të cilave shfaqen ato që fshihen në gjokse dhe gjërat e fshehta të njerëzve.

[14] Ata që dezertuan nga fronti me armikun.

[15] Në luftën e Uhudit.

[16] Në gabim dhe në thyerje të urdhrit të Pejgamberit.

[17] Dhe nuk i dënoi për gabimet  e tyre, përndryshe do t’i kishte shuar të gjithë në Uhud.

[18] Allahu i mbulon gjynahet e atyre që i besojnë Atij dhe të Dërguarit të Tij, dhe nuk i dënon për to.

[19] Nuk e nxiton ndëshkimin për ata që e thyejnë Urdhrin e Tij.

[20] Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[21] Mohues si ata.

[22] Për tregti.

[23] Këtë fjalë të tyre dhe këtë bindje të gabuar.

[24] Ankth e mërzitje, për shkak se ata e injoronin faktin se e gjithë kjo çështje është në Dorë të Allahut. Allahu e ka në dorë marrjen e shpirtrave të krijesave të Tij dhe për secilën krijesë Ai ka vendosur afat të caktuar vdekje e mbarimi.

[25] Kur të dojë dhe kujt të dojë prej krijesave të Tij. Vdekja është vetëm në dorë të Allahut dhe të askujt tjetër, prandaj mos ngurroni të shkoni të luftoni në rrugë të Allahut dhe duroni në luftën kundër armikut, edhe nëse numri juaj është i vogël dhe ai i armikut është i madh, sepse askush prej jush nuk ka për t’u vrarë dhe as për të vdekur, veçse pasi t’i mbarojë afati i jetës dhe t’i vijë vdekja. Edhe nëse dikujt prej jush i vjen vdekja dhe vritet në luftë, ju mos u trishtoni dhe mos u dobësoni përpara armikut, sepse atij i ka qenë e caktuar vdekja, prandaj vazhdoni të luftoni me trimëri dhe guxim.

[26] Qoftë e mirë apo e keqe, prandaj frikësojuni Atij, o besimtarë, sepse Ai i regjistron të gjitha këto për t’ua treguar juve në ditën e gjykimit, dhe për t’ju shpërblyer sipas tyre.

[27] O robët e Mi besimtarë!

[28] Kjo është me caktimin e Allahut, prandaj mos t’ju futet aspak dyshim se të gjitha çështjet janë në Dorë të Allahut, dhe se jeta e vdekja janë çështje që i përkasin Allahut, ashtu si dyshuan hipokritët në këto gjëra, por përpiquni me të gjitha forcat në rrugë të Allahut dhe luftoni armiqtë e Allahut, duke qenë të bindur se nuk ka për t’u vrarë në luftë dhe as për të vdekur në udhëtim, veçse ai që e ka plotësuar afatin dhe i ka ardhur vdekja.

[29] Falja e gjynaheve nga Allahu dhe Mëshira e Tij për ju, është më e mirë se të gjitha zbukurimet e dynjasë që grumbullojnë ata të cilët nuk dalin në rrugë të Allahut dhe nuk i luftojnë armiqtë e Allahut, përderisa ju e bëni këtë për Hir të Allahut dhe në rrugë të Tij.

-70-

  1. Edhe nëse vdisni apo vriteni, ju tek Allahu do të tuboheni.[1]
  2. Në saje të mëshirës nga Allahu, ti (o Muhamed) u solle butë me ta.[2] E, sikur të kishe qenë i vrazhdë e zemërgur,[3] ata do të largoheshin prej teje.[4] Prandaj falua atyre gabimin,[5] kërkoi falje Allahut për ta dhe konsultohu me ta për çështjet.[6] Dhe kur të vendosësh për diçka,[7] mbështetju Allahut.[8] Vërtet, Allahu i do ata që i mbështeten Atij.[9]
  3. Nëse ju ndihmon Allahu,[10] s’ka kush t’ju mposhtë[11] e, nëse ju lë[12], atëherë kush është ai që mund t’ju ndihmojë pas Tij?![13] Pra, vetëm Allahut t’i mbështeten besimtarët.[14]
  4. Asnjë pejgamberi nuk i takon të përvetësojë pandershmërisht asgjë nga plaçka e luftës,[15] dhe kushdo që e bën këtë, do të vijë bashkë me atë që ka marrë pandershmërisht në ditën e Kiametit,[16] pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka fituar[17] dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.[18]
  5. Vallë, a mund të jetë ai që kërkon kënaqësinë e Allahut[19] njësoj si ai që ka tërhequr zemërimin e Allahut[20] dhe vendi i të cilit është xhehenemi, përfundimi më i keq?![21]
  6. Ata kanë shkallë të ndryshme tek Allahu[22] dhe Allahu sheh gjithçka që ata veprojnë.[23]
  7. Vërtet, Allahu u dha besimtarëve mirësi të madhe kur u dërgoi një të dërguar[24] nga gjiri i tyre,[25] i cili u lexon ajetet[26] e Tij, i pastron[27] dhe u mëson Librin[28] e urtësinë[29], edhe pse më parë ata ishin në humbje të sigurt.[30]
  8. Vallë, kur ju goditi një e keqe,[31] ndërkohë që kishit fituar sa dyfishi i saj më parë[32], thatë: “Prej nga na erdhi kjo?” Thuaju (o Muhamed): “Ajo u erdhi nga vetja juaj[33].” Vërtet, Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[34]

[1] Kthimi i të gjitha krijesave është tek Allahu dhe Ai do i shpërblejë sipas veprave që kanë bërë në dynja, prandaj garoni të vriteni apo të vdisni në rrugë të Allahut, sepse kjo është më e mira për ju.

[2] Me ndjekësit dhe shokët e tu, të cilëve u pëlqyen moralet dhe sjelljet e tua. Edhe nëse dikush prej tyre të mundonte apo të dëmtonte, ti e duroje dhe përmbaheshe në të gjitha rastet, përveç nëse bëhej fjalë për shkeljen e ligjeve të Allahut.

[3] I pamoralshëm dhe i pamëshirshëm.

[4] Dhe nuk do të ndiqnin ty dhe as atë që t’u shpall, por Allahu i mëshiroi ata dhe ty bashkë me ta, dhe ti në saje të mëshirës së Allahut ishe i butë me ta.

[5] Dëmtimin apo mundimin që të shkaktojnë ty, o Muhamed, shokët dhe ndjekësit e tu.

[6] Që kanë nevojë për konsultim dhe diskutim, sepse konsultimi ka dobi të panumërta për të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, siç është: afrimi tek Allahu me zbatimin e këtij urdhri të Tij, kënaqja e të gjithëve me marrjen e mendimit të secilit dhe eliminimi i cytjeve e mendimeve që fut shejtani në zemrat e njerëzve në raste të ndryshme lufte, apo në ndodhi të tjera, zhvillimi dhe zbardhja e mendimeve pas vrasjes së mendjes nga të gjithë pjesëmarrësit, përfundimi i dhe vendimi i marrë pas konsultimit është më i qëlluar dhe më i saktë se vendimi i marrë nga një mendje e vetme. Sigurisht që Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) i vinte shpallja nga Allahu dhe nuk kishte nevojë për marrjen e mendimit të njerëzve, por Allahu kërkon me këtë gjë që të vendosë rregulla dhe të mësojë muslimanët se si të veprojnë pas vdekjes së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe pas ndërpritjes së shpalljes nga qielli.

[7] Pas konsultimit dhe marrjes së mendimeve.

[8] Mbështetu te fuqia e Allahut dhe vullneti i Tij dhe jo te fuqia dhe vullneti yt, dhe zbato atë që vendose pas konsultimit, ashtu si të urdhëruam Ne. Mbështetju Allahu në të gjitha çështjet.

[9] Ata të cilët janë të kënaqur me caktimin e Allahut dhe i dorëzohen gjykimit të Tij, u pëlqen apo nuk u pëlqen atyre dhe dëshirave të tyre.

[10] O ju besimtarë, kundër atyre që ju luftojnë prej armiqve tuaj dhe të Allahut.

[11] Askush prej njerëzve nuk mund t’ju mposhtë e t’ju mundë kur ju keni ndihmën e Allahut, edhe sikur të bashkohen nga të gjitha anët e botës, prandaj mos u trembni nga numri i madh i armiqve të Allahut përballë numrit tuaj të vogël.

[12] Nëse ju braktis dhe ju lë të mbështeteni në forcat tuaja për shkak të thyerjes së urdhrit të Tij dhe lënien e bindjes ndaj Tij.

[13] Askush! Por edhe nëse ju ndihmojnë të gjitha krijesat, por ju braktis Allahu, ju do të humbni, prandaj mos e lini bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[14] Dhe askujt tjetër, sepse Allahu është i Vetmi Ndihmues dhe mbështetja tek Ai është Njësim i Tij, kurse mbështetja tek ndokush tjetër përveç Tij është idhujtari dhe shokvënie Allahut. Sigurisht që grada e mbështetjes së Allahut është në varësi të besimit të njeriut.

[15] Nuk është cilësi e pejgamberëve që të vjedhin, të fshehin e të marrin me hile diçka prej plaçkës së luftës apo pasurisë së muslimanëve, dhe kush e bën këtë gjë, nuk është kurrësesi pejgamber, sepse vjedhja dhe marrja në mënyrë të pandershme e pasurisë së njerëzve është nga gjynahet e mëdha dhe nga veprat më të pandershme.

[16] Kur të tubohen të gjitha krijesat para Allahut dhe të presin gjyqin e madh.

[17] Shpërblimi apo ndëshkimi për veprat që ka bërë në dynja.

[18] Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi aspak. Askujt nuk do t’i shtohen të këqiat apo t’i pakësohen të mirat.

[19] Ai që i largohet fshehjes së plaçkës së luftës, marrjes së pasurisë së njerëzve në mënyrë të pandershme dhe të gjitha ndalesave të Allahut, duke vepruar në bindje ndaj Allahut, në kërkim të kënaqësisë së Allahut dhe fitores me xhenetin e Tij.

[20] Me veprat e tij të paligjshme e të pandershme, për të cilat meriton banesën e xhehenemit.

[21] Ata nuk mund të krahasohen kurrë.

[22] Ai që kërkon kënaqësinë e Allahut do të ketë vend nderi dhe shpërblim të madh, kurse ai që tërheq zemërimin e Allahut, do të ketë përçmin dhe dënimtë dhembshëm.

[23] Allahu e di se çfarë veprojnë ata që i binden Atij dhe ata që e thyejnë urdhrin e Tij, dhe Atij nuk i shpëton asgjë nga veprat e tyre, por ua shënon secilit grup veprat që bën për t’u dhënë shpërblimi që meritojnë, në botën tjetër.

[24] Mirësia më e madhe që Allahu u ka dhuruar robëve të Tij është pikërisht ky Pejgamber, Muhamedi, me dërgimin e të cilit, Allahu i shpëtoi njerëzit nga humbja e sigurtë dhe i ruajti nga shkatërrimi.

[25] Të cilit ja dinin prejardhjen, fisin, cilësitë e gjuhën, sepse ai ishte nga vetë gjiri i tyre dhe u donte të mirën atyre, i këshillonte, u lexonte ajetet e Allahut dhe u mësonte kuptimet dhe domethëniet e tyre.

[26] Vargjet e Librit dhe shpalljes së Allahut.

[27] Nga idhujtaria, gjynahet dhe të gjitha veprat e ulëta e të pandershme.

[28] Kuranin, komentimin dhe domethëniet e tij.

[29] Sunetin, traditën pejgamberike, njohjen në detaje të legjislacionit Islam, vendosjen e gjërave në vendin që u takon.

[30] Edhe pse para dërgimit të Muhamedit, ata nuk e njihnin rrugën që të shpinte te Zoti i tyre dhe as si të pastroheshin nga gjynahet e tyre.

[31] Humbjet dhe plagët që morën në Uhud.

[32] Në luftën e Bedrit, ku muslimanët vranë 70 prej idhujtarëve dhe morën rob 70 të tjerë.

[33] Për shkak të thyerjes së urdhrit tim dhe mosbindjes ndaj meje, dhe nga askush tjetër përveç jush.

[34] Allahu ka fuqi të dënojë kë të dojë prej krijesave të Tij dhe t’ia falë dënimin kujt të dojë prej tyre.

-71-

  1. Ajo që ju gjeti atë ditë[1], kur u ndeshën dy ushtritë, ishte me lejen e Allahut,[2] për t’u dalluar besimtarët e vërtetë,
  2. dhe për t’u dalluar ata që ishin hipokritë. Atyre (hipokritëve) iu thuhej: “Ejani të luftoni në rrugën e Allahut[3] ose të paktën, të mbroheni![4]” Ata thanë: “Sikur ta dinim se do bëhej luftë, sigurisht që do ju pasonim.[5]” Por atë ditë, ata ishin më pranë mohimit se sa besimit, sepse me gjuhët e tyre thoshin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre.[6] Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.[7]
  3. Atyre që nuk shkuan në luftë dhe që thanë për vëllezërit e vet: “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të ishin vrarë”, thuaju: “Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse thoni të vërtetën!”[8]
  4. Kurrsesi mos i quani të vdekur[9] ata që janë vrarë në rrugë të Allahut[10]. Përkundrazi, ata janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.[11]
  5. Të gëzuar për atë që u ka dhënë Allahu nga të mirat e Tij,[12] dhe njoftohen me lajmin e gëzuar se as për ata që do të vijnë pas tyre,[13] por që ende nuk janë bashkuar me ta[14], nuk do ketë frikë[15] dhe as nuk do të pikëllohen.[16]
  6. Gëzohen[17] me dhurëtinë dhe mirësinë e Allahut,[18] dhe se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.[19]
  7. Atyre të cilët[20] iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit edhe pse kishin marrë plagë të rënda,[21] për ata që vepruan mirë prej tyre dhe që iu frikësuan Allahut, do të ketë shpërblim të madh.[22]
  8. Atyre të cilëve[23] njerëzit[24] u thanë: “Njerëzit[25] janë mbledhur për t’ju luftuar ju, prandaj frikësohuni!”[26] Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin[27] atyre dhe ata[28] thanë: “Neve na mjafton Allahu e, Ai është Mbrojtësi më i mirë!”[29]

[1] Ditën e luftës së Uhudit.

[2] Me caktimin e Allahut për ju, i cili nuk mund të kthehej mbrapsht, dhe nëse diçka e caktuar nga Allahu ndodh, nuk ka rrugë tjetër veçse ta pranosh dhe t’i nënshtrohesh asaj. Sigurisht që Allahu e caktoi këtë humbje në Uhud për muslimanët, për shumë e shumë dobi e mësime që u bënin dobi atyre si dhe për t’u dalluar hipokritët nga besimtarët.

[3] Për të mbrotjur fenë e Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Allahut.

[4] Të mbroni familjet, pasuritë dhe vendin tuaj.

[5] Por ne mendonin se nuk kishte për të ndodhur luftim mes jush dhe ushtrisë armike, prandaj u kthyem –edhe pse e dinin shumë mirë se do të zhvillohej luftë. Këtu hipokritët shfaqën atë që fshihnin në zemrat e tyre prej hipokrizisë dhe shprehën me gjuhën e tyre të kundërtën e asaj që fshihnin prej armiqësisë së Pejgamberit dhe besimtarëve.

[6] Kjo është veçoria e hipokritëve: thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.

[7] Dhe ua shfaq atë robërve të Tij besimtarë, si dhe i dënon për atë që fshehin.

[8] Kur thoni se sikur t’ju dëgjonin ju nuk do të ishin vrarë. Por ata nuk munden kurrë ta prapësojnë vdekjen nga vetja e tyre, por e thonë këtë fjalë për të bashkuar mes dezertimit nga xhihadi dhe përgënjeshtrimit e kundërshtimit të caktimit të Allahut dhe përmbushjes së caktimit të Tij. Në këto ajete kuptohet se njeriu mund të ketë në vete degë prej degëve të besimit dhe degë prej degëve të mohimit, dhe nga njëra prej tyre mund të jetë më afër se nga tjetra.

[9] Që nuk ndiejnë e nuk shijojnë gjë.

[10] Në luftën e Uhudit dhe në çdo luftë tjetër.

[11] Në banesën e nderimit të Tij, në gradë të larta dhe pranë Zotit të tyre.

[12] Të shumta, të mëdha e me shije të përsosur. Allahu u ka dhënë atyre të mira fizike, siç është ushqyerja, dhe shpirtërore, siç është gëzimi i lumturia.

[13] Prej vëllezërve të tyre besimtarë që i kanë lënë të gjallë në jetën e dynjasë.

[14] Ende nuk janë vrarë në rrugë të Allahut, por pritet të vriten në të dhe të bashkohen me ta, e të shijojnë të mirat e Zotit të tyre.

[15] Nga dënimi i Allahut. Do të qetësohen nga ajo frikë që kishin në dynja prej dënimit të Allahut.

[16] Nuk do të mërziten për atë që kanë lënë pas në dynja.

[17] Gëzohen dhe përgëzojnë njëri-tjetrin.

[18] Të mirat e pafundme që u ka dhënë Allahu dhe shpërblimin e madh për bindjen e tyre ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, si dhe për luftën kundër armiqve të Allahut.

[19] Për veprat që kanë bërë, por përkundrazi, ua shumëfishon atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

[20] Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve, atyre të cilët…

[21] Pasi ushtria muslimane u kthye nga Uhudi në Medine, dëgjuan se Ebu Sufjani me ushtrinë idhujtare do të sulmonin Medinen. Atëherë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), urdhëroi shokët e tij që t’u dalin atyre, dhe ata iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Pejgamberit, megjithëse kishin marrë plagë të rënda në Uhud, dhe të nesërmen mbërritën në vendin e quajtur “Hamraul esed”. Aty u erdhën disa njerëz, të porositur nga Ebu Sufjani, që t’u jepnin lajme për t’i trembur nga armiku.

[22] Tek Allahu në ditën e Kiametit, për veprat që kanë bërë në dynja.

[23] Edhe kjo fjali lidhet me fjalinë: “Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve”, dhe vazhdon: Atyre të cilëve njerëzit u thanë …

[24] Disa njerëz të zonave përreth, të porositur nga Ebu Sufjani, me qëllim që frikësonin muslimanët.

[25] Ebu Sufjani me ushtrinë kurashite që luftuan në Uhud.

[26] Ruajuni ballafaqimit me ta, sepse ju nuk mund t’u dilni para atyre dhe nuk mund t’u bëni ball.

[27] Tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe tek premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij.

[28] Të vendosur e të bindur në rrugën drejt arritjes së Kënaqësisë së Allahut, me besim tek Allahu dhe të mbështetur tek Ai.

[29] Duke ia dorëzuar kështu çështjen Allahut, i Cili i rregullon më së miri çështjet e robërve të Tij.

-72-

  1. Ata u kthyen[1] me dhurëtinë e Allahut dhe mirësinë e Tij,[2] nuk i preku asnjë e keqe[3] dhe ndoqën kënaqësinë e Allahut.[4] Allahu është Zotëruesi i mirësive të mëdha.
  2. Por ai[5] është vetëm djalli, i cili ju frikëson me ithtarët e vet,[6] por ju mos iu frikësoni atyre, por të më frikësoheni vetëm Mua,[7] nëse jeni besimtarë[8]!
  3. Mos të të brengosin ata që nxitojnë në mohim,[9] sepse ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu do që të mos u ndajë hise atyre[10] në botën tjetër, dhe ata do të kenë dënim të madh.[11]
  4. Padyshim se ata të cilët e këmbejnë besimin me mohimin,[12] nuk do i bëjnë kurrfarë dëmi Allahut[13] dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.
  5. Ata që mohojnë[14], të mos mendojnë se jeta që Ne u zgjasim është mirë për ta. Përkundrazi, Ne ua zgjasim jetën që t’u shtohen gjynahet, dhe ata do të kenë dënim poshtërues.[15]
  6. Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju[16], deri sa të dallojë të keqin[17] nga i miri[18]. Allahu nuk ua tregon të fshehtën,[19] por Allahu zgjedh kë të dojë prej të dërguarve të Tij.[20] Pra, besoni Allahun dhe të dërguarit e Tij e, nëse besoni dhe ruheni[21], ju do të keni shpërblim të madh.
  7. Ata të cilët bëjnë kopraci me të mirat që u ka dhënë Allahu,[22] të mos mendojnë se ajo (kopracia) është më mirë për ta![23] Përkundrazi, ajo është më keq për ta[24]! Ajo që grumbulluan nga kopracia, do t’u mbështillet atyre në qafë ditën e Kiametit.[25] Vetëm Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës[26] dhe Allahu njeh mirë gjithçka që veproni ju.[27]

[1] Nga “Hamraul Esed” ku gjurmonin armikun, me shëndet të plotë, pa u ndeshur me të, madje Allahu futi tmerr në zemrat e armiqve kur dëgjuan se Muhamedi dhe ushtria e tij kishin dalë në kërkim të tyre, dhe morën të kthehen menjëherë në Meke.

[2] Allahu u dha sukses besimtarëve si dhe shpërblim të madh për shkak të veprës së mirë të tyre kur iu bindën Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe për ruatjen e tyre nga shkelja e urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[3] Nga armiku, në këtë ngjarje.

[4] E kënaqën Allahun me këtë vepër që vepruan: me pasimin e Pejgamberit dhe zbatimin e urdhrit të tij për të shkuar në gjurmim të armikut.

[5] Ai që ju tha juve, o besimtarë: “Njerëzit janë mbledhur për t’ju luftuar, prandaj frikësohuni!”, është shejtani, por me gjuhën e atyre që ua thanë këtë prej ithtarëve të tij idhujtarë, Ebu Sufjanit me shokë, me qëllim që t’ju frikësojnë dhe të trembeni prej tyre.

[6] Shejtani kërkon të frikësojë besimtarët me anë të ithtarëve të tij mohues e idhujtarë.

[7] Ky ajet tregon detyrueshmërinë e frikës vetëm ndaj Allahut dhe askujt tjetër, dhe se frika ndaj Allahut është nga përbërësit themelorë të besimit; në varësi të gradës së besimit që ka njeriu, është edhe frika e tij nga Allahu, e cila do të thotë: ruajtja dhe largimi nga ndalesat e Allahut.

[8] Nëse vërtetë më besoni Mua, të Dërguarin Tim dhe atë që i është shpallur atij prej Meje.

[9] Mos të të brengosë, o Muhamed, mohimi i atyre që nxitojnë në mohim dhe e lënë fenë prej hipokritëve, sepse nxitimi i tyre në mohim nuk e dëmton aspak Allahun, ashtu si edhe nxitimi në besim nuk i sjell ndonjë dobi Allahut, por të gjitha këto i kthehen njeriut.

[10] Që nxitojnë në mohim.

[11] Jo vetëm që nuk do të kenë hise në të mirat dhe begatitë e Allahut, por do të kenë dënim të madh në zjarrin e xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[12] Bëhet fjalë për hipokritët, të cilët nxitojnë në mohim dhe dalin nga besimi pasi hynë në të, dhe janë të kënaqur me mohimin e Allahut dhe të dërguarit të Tij, në këmbim të besimit.

[13] Por do t’i bëjnë dëm vetes së tyre, duke i shkaktuar asaj dënim të dhembshëm e të përhershëm në xhehenem.

[14] Allahun, të Dërguarin e Tij dhe shpalljet e Allahut.

[15] Allahu ia shtyn afatin zullumqarit, me qëllim që të shtohet sa më shumë tirania e tij dhe të thellohet mohimi i tij, por pastaj e kap atë me kapjen e të Plotëfuqishmit. Prandaj, të kenë kujdes ata që bëjnë padrejtësi nga shtyrja e afatit dhe të mos mendojnë se do i shpëtojnë të Madhërishmit, më të Lartit!

[16] Prej përzierjes dhe mosdallimit mes besimtarëve nga hipokritëve.

[17] Hipokritin, i cili e fsheh mohimin dhe shfaq besimin.

[18] Besimtari i sinqertë e i devotshëm, i cili është provuar me vështirësi e sprova, si në luftën e Uhudit, dhe i ka kaluar me sukses ato, duke qëndruar i vendosur në besim, me mirësinë e Allahut dhe suksesin nga Ai.

[19] Nuk është nga urtësia e Allahut që t’ua tregojë njerëzve se çfarë fshehin të tjerët në zemrat e tyre, dhe nuk është nga urtësia e Tij që të zbulojë atë që fshihet në zemrat e besimtarëve e të hipokritëve, por urtësia e Allahut është që të sprovojë robët e Vet dhe nga sprova të dallohen dhe të njihen besimtarët e vërtetë nga hipokritët dhe mohuesit.

[20] Dhe i tregon atij diçka prej asaj që fshehin zemrat e disave prej robërve të Tij, me shpalljen e Tij.

[21] Nga Allahu, duke ju bindur Atij në çdo gjë që ju urdhëron apo ju ndalon i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[22] Duke mos e dhënë zekatin e detyrueshëm të pasurisë së tyre apo të dijes së tyre duke ua mësuar njerëzve, dhe për çdo të mirë që u ka dhënë Allahu.

[23] Tek Allahu.

[24] Në jetën e tyre materiale dhe fetare, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[25] Ashtu si ka ardhur në një hadith të saktë nga Pejgamberi, ku thuhet: “Në ditën e Kiametit, pasuria e kopracit do të marrë formën e një gjarpëri helmues me dy dhëmbë të mëdhenj, i cili i mbështillet në qafë, pastaj i kap dorën me nofullat e tij dhe i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!” Pastaj Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) lexoi këtë ajet.” [E ka nxjerrë Buhariu, Muslimi, etj.]

[26] Allahu është Sunduesi dhe Zotëruesi i Vetëm i qiejve dhe i Tokës, dhe gjithçka do t’i kthehet Sunduesit të vet. Njerëzit do të kthehen tek Sunduesi i tyre pa asnjë lloj pasurie dhe pa asgjë tjetër, përveç veprave të tyre që kanë bërë në dynja.

[27] Dhe në varësi të veprave tuaja do t’u japë shpërblimi që meritoni, prandaj mos bëni kopraci, sepse kështu meritoni dënimin e Allahut, por jepni zekatin e pasurisë suaj, që të fitoni shpërblimin e madh tek Allahu.

-73-

  1. Sigurisht që Allahu e ka dëgjuar fjalën e atyre[1] të cilët thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”[2] Ne do ta shënojnë atë që thanë ata, si edhe vrasjen e pejgamberëve nga ana e tyre pa asnjë të drejtë[3] dhe do t’u themi: “Shijoni dënimin e zjarrit!”[4]
  2. Ky (dënim) është për shkak të asaj që vepruan duart tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Vet.[5]
  3. Janë po ata të cilët[6] thanë: “Allahu na ka porositur[7] që të mos i besojmë asnjë të dërguari,[8] deri sa të na sjellë një kurban[9] që ta përpijë zjarri[10]!” Thuaju (o Muhamed): “Para meje ju kanë ardhur edhe të dërguar të tjerë me prova të qarta[11] dhe me ato që kërkuat[12]; atëherë, përse i vratë ata, nëse thoni të vërtetën[13]?”
  4. Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (o Muhamed), edhe para teje janë përgënjeshtruar të dërguar të tjerë,[14] ndonëse sollën prova të qarta[15], shkrime qiellore[16] dhe Librin e ndritur.[17]
  5. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen,[18] dhe vetëm në ditën e Kiametit do t’i merrni plotësisht shpërblimet tuaja[19]; kushdo që largohet nga zjarri[20] dhe futet në Xhenet, ai ka fituar.[21] Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.[22]
  6. Ju patjetër që do të sprovoheni në pasuritë[23] e në vetet tuaja[24], dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga ata, të cilëve u është dhënë Libri para jush,[25] si dhe nga idhujtarët, por nëse ju duroni[26] dhe ruheni[27], padyshim se këto janë nga çështjet që merren vendosmërisht.[28]

[1] Një grupi prej jehudëve, të cilët kur dëgjuan Fjalën e Allahut: “Kush ështe ai që i jep Allahut një hua të mirë…” [El Bekare, 245], thanë në mënyrë mendjemadhësie dhe kryelartësie këtë fjalë të shëmtuar, për t’iu shtuar veprave të tjera të tyre të shëmtuara, siç ishte vrasja e të dërguarve të Allahut.

[2] Përderisa Allahu kërkon hua nga njerëzit, Ai ka nevojë për krijesat e Tij dhe për pasuritë e tyre! Sa fjalë të shëmtuar shprehin me gjuhët e tyre! Allahu nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat e Tij kanë nevojë për Të, madje nuk mund të qëndrojnë dhe as të jetojnë pa Allahun. Kur Allahu u kërkon besimtarëve hua të mirë, Ai nuk u kërkon për Vete, sepse në fakt çdo gjë që zotërojnë njerëzit është pronë e Allahut, edhe vetë ata, por Allahu i urdhëron ata që të japin lëmoshë të varfërve dhe të shpenzojnë në rrugë të hajrit, në xhihad, etj. Por jehudët mohues nuk e kishin për gjë të shtonin edhe më shumë mohimin dhe arrogancën e tyre, megjithëse e dinin shumë mirë kuptimin e kësaj Fjale të Allahut.

[3] Me vetëdije dhe paramendim dhe jo nga padija, por nga arroganca dhe rebelizmi kundër Allahut.

[4] Djegës e përvëlues, i cili depërton trupin tejpërtej.

[5] Allahu nuk bën kurrë padrejtësi dhe Ai është i Pastër nga kjo gjë, por ata e meritojnë këtë dënim për shkak të veprave të tyre të shëmtuara me të cilat i kanë kaluar të gjitha kufijtë.

[6] Po ata të cilët thanë se Allahu është i varfër, thanë gjithashtu fjalën në vijim.

[7] Në Librat e Tij, apo në gjuhën e dërguarve të Tij tek ata. Kjo ishte një gënjeshtër dhe trillim i tyre, dhe jo vërtetë porosi e Allahut. Ata bashkuan mes gënjeshtrës ndaj Allahut dhe kufizimit të shenjave të të dërguarve në përmbajtjen e kësaj fjale të tyre.

[8] Të mos besojmë asnjë njeri i cili thotë se është i dërguar nga Allahu dhe të mos i bindemi atij.

[9] Kurban quhet kafsha që besimtari e therr për Hir të Allahut, apo çdo lëmoshë që ai jep me qëllim që të afrohet tek Allahu dhe arrijë kënaqësinë e Allahut.

[10] Në atë kohë, përpirja e kurbanit nga zjarri ishte argument dhe shenjë se Allahu e kishte pranuar atë kurban.

[11] Dhe argumentuese për profetësinë e tyre dhe se ata janë dërguar nga Allahu, argumente dhe prova të qarta e të prera, me shikimin dhe vërejtjen e të cilave beson njeriu normal dhe i logjikshëm.

[12] Me atë që pretenduat se do të besonit sikur të vinte me të, prej përpirjes së kurbanit nga zjarri.

[13] Kur thoni se Allahu ju ka porositur që të mos besoni asnjë të dërguar, pa ju sjellë kurban që ta përpijë zjarri! Allahu i tregon Pejgamberit të Tij, Muhamedit dhe besimtarëve, se jehudët nuk ngurrojnë të mohojnë ty dhe profetësinë tënde, megjithëse e dinë shumë mirë të vërtetën tënde, madje e kanë të shënuar në Librin e tyre, por ata janë mësuar tashmë me mohimin e të dërguarve të Allahut, madje edhe me vrasjen e disave prej tyre, kështu që mos u çudit dhe mos u mërzit me qëndrimin e tyre, sepse Allahu sheh dhe shënon gjithçka që veprojnë ata dhe ata do të marrin dënimin e merituar.

[14] Prandaj mos u trishto dhe mos u mërzit për përgënjeshtrimin dhe qëndrimin e tyre ndaj teje.

[15] Argumente e mrekulli të qarta e të prekshme për të gjithë njerëzit.

[16] Të cilat nuk mund t’i zbrisnin e t’i shpalleshin veçse pejgamberëve.

[17] Librin që zbardh të vërtetën dhe e sqaron atë. Është fjala për Teuratin e shpallur Musait dhe Inxhilin e shpallur Isait. Por jehudët e përgënjeshtruan Isain dhe atë që iu shpall atij, si dhe shtrembëruan atë që thuhej në Teurat për Muhamedin, dhe po kështu vepruan edhe të krishterët në lidhje me atë që thuhej në Inxhil për Muhamedin.

[18] Çdo gjë me shpirt do ta shijojë vdekjen: njerëzit, kafshët, xhinët, engjëjt. Prandaj, ti o Muhamed, dhe ju o besimtarë, mos u mërzisni me mohimin e mohuesve dhe të idhujtarëve, sepse që të gjithë do të vdesin dhe do të kthehen te Krijuesi i tyre, ku do të japin llogari për veprat e tyre dhe do të marrin dënimin e merituar.

[19] Për vëprat që keni bërë në dynja. Por ju do të merrni shpërblim për to që në dynja, si dhe në jetën e varrezave-barzah, por shpërblimin e plotë do ta merrni në ditën e Kiametit.

[20] Kushdo, të cilin Allahu e largon nga zjarri dhe e fut në xhenet.

[21] Ai ka shpëtuar nga dënimi i madh dhe ka fituar fitoren e madhe, të përgatitur nga Allahu për robët e Tij besimtarë.

[22] Jo reale, e paqëndrueshme, e pavlerë, e pakët, prandaj mos u mashtroni nga kënaqësitë mashtruese të dynjasë, të cilën do ta lini shumë shpejt, dhe të harroni botën tjetër dhe punën për botën tjetër, ku do të qëndroni përgjithmonë!

[23] Me humbjen e pasurisë apo të një pjese të saj, ose me kuptimin se do të urdhëroheni të jepni zekat dhe lëmosh nga pasuritë tuaja, për t’u sprovuar nëse doni më shumë pasurinë apo Allahun, këtë botë apo botën tjetër.

[24] Me humbjen e të afërmve e miqve tuaj, ose me kuptimin se do të mundoheni me kryerjen e obligimeve të ngarkuara nga Allahu, nga të cilat edhe lufta në rrugë të Allahut ku mund të humbi edhe jetën tuaj, me sëmundjet që mund t’ju zënë, etj.

[25] Jehudët e të krishterët, prej fyerjeve të të cilëve ishin fjalët e tyre: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!”, “Allahu është dorështrënguar!”, “Mesihu Isa është biri i Allahut”, etj.

[26] Duke ju përmbajtur ligjeve të Allahut në marrëdhëniet me ta.

[27] I ruheni Allahut dhe keni frikë Atë në çdo gjë që ju ka urdhëruar e ndaluar, duke vepruar në bindje ndaj Tij.

[28] Nga çështjet e mëdha për të cilat garohet, por nuk arrihen veçse nga njerëzit e vendosur dhe me vullnet të fortë.

-74-

  1. Kujto (o Muhamed) kur Allahu u mori besën atyre që u është dhënë Libri: do t’ua sqaroni atë[1] njerëzve dhe nuk do ta fshehni atë.[2] Por ata e hodhën pas shpine atë[3] dhe e këmbyen me një vlerë të vogël.[4] Nuk ka më të shëmtuar se ajo që marrin në këmbim![5]
  2. Mos mendo (o Muhamed) se ata[6] që gëzohen për atë që kanë bërë[7] dhe dëshirojnë të lavdërohen për atë që nuk e kanë bërë, assesi mos mendo se ata do t’i shpëtojnë ndëshkimit[8] dhe ata do të kenë ndëshkim të dhembshëm.[9]
  3. Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.[10] Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[11]
  4. Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka prova për njerëzit me mend.[12]
  5. Ata të cilët e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur e shtrirë[13] dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës[14]: “Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kotë këto,[15] i Pastër nga çdo e metë je Ti![16] Na ruaj nga dënimi i zjarrit![17]
  6. Zoti ynë! Këdo që Ti fut në zjarr,[18] e ke poshtëruar[19] atë, dhe për të padrejtët[20] nuk do të ketë asnjë ndihmues.[21]
  7. Zoti ynë! Ne dëgjuam një thirrës[22] që na ftonte në besim[23] duke thënë: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe ne besuam. Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona (të mëdha), na i shlyej të këqiat tona[24] dhe na bëj që të vdesim në numrin e të mirëve![25]
  8. Zoti ynë! Na e jep atë që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu[26] dhe mos na poshtëro në ditën e Kiametit![27] Me të vërtetë, Ti nuk e shkel premtimin e dhënë!”

[1] Është fjala për Teuratin dhe Inxhilin.

[2] Nuk do të fshehni asgjë prej tij, por do t’ua sqaroni dhe do t’ua mësoni njerëzve ashtu si ka zbritur dhe pa i ndryshuar kuptimin. As të mos fshehin profetësinë e Muhamedit, të cilin e gjejnë të shënuar në librin që kanë para duarve, sepse ai është vërtet i Dërguari i Allahut, i dërguar me të vërtetën.

[3] Besën e dhënë Allahut dhe urdhrin e Tij: e fshehën çështjen e Muhamedit dhe e përgënjeshtruan atë, duke qenë se e dinin mirë të vërtetën.

[4] E fshehën çështjen e Muhamedit dhe fjalën që thuhej për të në Librin e tyre për një fitim të pavlerë e të pakët nga të mirat e dynjasë, prej pasurisë e pushtetit.

[5] Kur fshehin të vërtetën dhe nuk ua sqarojnë njerëzve atë, ata lënë më të mirën e më të lartën, lumturinë e përhershme dhe të mirat e dynjasë e të fesë dhe zgjedhin më të shëmtuarën e më të fëlliqurën.

[6] Ithtarë të Librit.

[7] Duke ua fshehur njerëzve çështjen tënde, o Muhamed, që ti je i dërguari i Allahut me të vërtetën, gjë të cilën ata e gjejnë të shënuar në Librat e tyre dhe për këtë Allahu u mori besën atyre e ata, megjithëse e thyen besën e tyre dhe thyen urdhrin e Allahut, gëzohen me këtë vepër, madje duan që të lavdërohen nga njerëzit se gjoja janë njerëz të devotshëm ndaj Allahut, adhurues të mëdhenj të Tij, ndjekës të shpalljeve të Tij, kurse realiteti është krejt ndryshe.

[8] Të përgatitur nga Allahu për armiqtë e Tij në dynja, siç është fundosja në tokë, shndërrimi në majmuna e derra, vrasja, tërmeti, etj.

[9] Në botën tjetër, përveç atij që kanë në dynja.

[10] Dhe jo ashtu si thonë ata arrogantë prej çifutëve, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur.

[11] Dhe i dënon kur të dojë dhe si të dojë ata që e thonë këtë fjalë, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur, si dhe thonë fjalë apo bëjnë vepra të tjera në thyerje të urdhrit të Allahut.

[12] Provat e Allahut ekzistojnë dhe duken qartë në gjithçka që na rrethon, në të gjithë krijimin e Allahut, duke filluar që nga vetë trupi i njeriut e deri në dukuritë natyrore madhështore që Allahu ka krijuar e përsosur, por ato nuk i dallojnë veçse njerëzit që kanë arsye dhe logjikë të shëndoshë, ata të cilët kërkojnë të vërtetën dhe meditojnë në krijimin e qiejve e të tokës. E gjithë kjo tregon për lidhjen e zemrës me Krijuesin e saj dhe dhënien e mundit për arritjen e kënaqësisë së Tij.

[13] Që e përmendim Allahun në çdo gjendje, me gojë e me zemër, në namaz e jashtë namazit.

[14] Dhe e dijnë se ato nuk mund të jenë krijuar vetvetiu dhe as rastësisht, por ato kanë Krijuesin e tyre Madhështor, i Cili zotëron të gjitha atributet dhe cilësitë absolute, dhe është larg dhe i pastër nga çdo e metë apo cilësi negative. Allahu është Ai i Cili i ka krijuar, i ka sistemuar, i mban dhe i drejton të gjitha krijesat e Tij, dhe ato nuk mund të qëndrojnë pa Të. Nga ky ajet kuptojmë gjithashtu se meditimi në krijesat e Allahut është adhurim ndaj Allahut dhe cilësi e adhuruesve të ditur të Allahut dhe miqve të Tij.

[15] Të gjitha krijesat e Tij në tokë e në gjithësi.

[16] Larg çdo të mete që nuk i përshtatet Madhështisë Tënde, je Ti, o Zoti ynë! Ti e ke krijuar gjithçka me qëllim, me të vërtetën dhe për të vërtetën. Ky krijim madhështor patjetër që tregon dhe argumenton për madhështinë e Krijuesit të tij të Plotëfuqishëm.

[17] Na ruaj nga veprat e këqija dhe na jep sukses për kryerjen e veprave të mira, që të shpëtojmë nga dënimi Yt në zjarr, sepse padyshim se dënimi Yt do të jetë i madh dhe i dhembshëm, e Ti je i Plotëfuqishëm për gjithçka! Ne nuk mund të na shpëtojë nga dënimi Yt askush tjetër përveç Teje, prandaj na ruaj nga dënimi i zjarrit dhe na fut në xhenetin Tënd!

[18] Për atë që ka merituar.

[19] E ke poshtëruar me futjen në zjarr, i ke hequr cipën, i ke zbuluar gabimet dhe të metat që ka pasur në dynja, e ke turpëruar në sy të të gjitha krijesave.

[20] Ata të cilët  kundërshtojnë urdhrin e Allahut dhe shkelin ndalesat e Tij.

[21] Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

[22] Kuranin, ose të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), megjithëse Kurani është më përfshirës në këtë rast, për shkak se atë e kanë dëgjuar dhe besuar edhe shumë breza të tjerë pas Muhamedit, kurse Muhamedin nuk e ka dëgjuar drejtpërdrejtë veçse shokët e tij.

[23] Që të besojmë Ty, të njësojmë Ty, të ndjekim të Dërguarin Tënd, Muhamedin, dhe t’i bindemi atij në ato që na urdhëron e na ndalon, prej atyre që i janë shpallur prej Teje.

[24] Gjynahet e vogla.

[25] Kur të na vdesësh, na bëj që të vdesim ashtu si të mirët, na llogarit prej tyre, na bashko me ta dhe na ngjall bashkë me ta në ditën e Kiametit! Kjo lutje përmban suksesin për kryerjen e veprave të mira dhe largimin nga të këqiat, gjë me të cilën njeriu arrin të bëhet prej të mirëve, si dhe qëndrueshmërinë në këtë gjë deri në vdekje.

[26] Fitoren kundër armiqve tanë dhe të Tu. Na e shpejto ndihmën Tënde kundër tyre.

[27] Me gjynahet tona që kemi bërë në dynja, por na i fal dhe na i shlyej ato!

-75-

  1. Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin[1] askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në gjykim).[2] Atyre që emigruan[3], u dëbuan nga shtëpitë e tyre[4], u munduan në rrugën Time[5], luftuan[6] dhe u vranë[7], Unë do t’ua shlyej të këqiat që kanë bërë[8] dhe do ti fut në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu[9] e, tek Allahu është shpërblimi më i mirë.”[10]
  2. Mos të të mashtrojë bredhja e atyre që mohojnë nëpër botë![11]
  3. Ajo[12] është një kënaqësi e pakët, pastaj streha e tyre e fundit do të jetë xhehenemi, shtrati më i keq!
  4. Kurse ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre[13] do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, si mikpritje nga Allahu[14]. Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.[15]
  5. Padyshim se nga ithtarët e Librit ka të atillë që besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve[16], si dhe atë që u është shpallur atyre.[17] Që kanë frikë Allahun[18] dhe nuk i këmbejnë ajetet e Tij me ndonjë vlerë të paktë.[19] Ata do ta kenë shpërblimin[20] te Zoti i tyre.[21] Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari.[22]
  6. Ju, o besimtarë [23]! Bëni durim[24], kalojani armikut në durim[25], qëndroni në vigjilencë[26] dhe kijeni frikë Allahun,[27] që të shpëtoni![28]

[1] Veprat e mira që keni bërë në dynja.

[2] Të gjithë ju, o besimtarë, meshkuj e femra, keni të njëjtin gjykim në shpërblim, dhe Allahu nuk ia humb mundin askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër.

[3] Lanë popullin e tyre mohues dhe njerëzit e tyre, vetëm për Hir të Allahut dhe iu bashkuan vëllezërve të tyre besimtarë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[4] Flitet për emigruesit mekas, të cilët u dëbuan nga idhujtarët kurashit prej Mekës.

[5] U dëmtuan dhe u torturuan nga idhujtarët vetëm e vetëm se besuan të Dërguarin e Allahut dhe atë që i shpallej nga Allahu.

[6] Në Rrugë të Allahut.

[7] Që u vranë në luftë, që ranë dëshmorë.

[8] Do t’ua fshij të këqiat dhe do t’ua fal ato.

[9] Për besimin, qëndrueshmërinë dhe veprat e tyre të mira.

[10] I cili nuk mund të përshkruhet nga askush, sepse atë nuk e ka parë askush, nuk e ka dëgjuar kush dhe nuk mund t’i shkojë në mendje askujt.

[11] Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij, por ka për qëllim të gjithë besimtarët, që të mos mashtrohen me bredhjen nëpër botë dhe kënaqjen me të mirat e botës, të atyre që mohojnë Allahun dhe luftojnë fenë e Tij dhe besimtarët, sepse sado që të arrijnë ata prej kënaqësive dhe të mirave të dynjasë, ato përsëri janë shumë pak dhe të përkohshme, mbarojnë shumë shpejt dhe pastaj i pret dënimi i përhershëm. Kurse besimtarët, megjithë krenarinë dhe të mirat që u jep Allahu në dynja, ata do të kenë shpërblimin më të mirë dhe më të përhershëm në xhenet. Madje edhe sikur besimtarët të vuanin e të bënin jetë të keqe në dynja, në krahasim me shpërblimin e botës tjetër dhe lumturisë së pafundme, vuajtja e tyre në dynja do të konsiderohej si dhuratë në formën e vuajtjes, prandaj në ajetin në vijim Allahu thotë: “Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.”

[12] Kënaqësia e dynjasë.

[13] Duke iu bindur Atij dhe duke punuar për kënaqësinë e Tij.

[14] Dhe nga bujaria e mirësia e Allahut ndaj tyre.

[15] Për ata që ishin zemërmirë e të dëlirë dhe si rrjedhojë edhe veprat dhe fjalët e tyre ishin të mira dhe në bindje ndaj Allahut. Shpërblimi i këtyre tek Allahu është shumë më i mirë se kënaqësitë e përkohëshme të atyre që mohojnë në dynja.

[16] Atë që ju ka shpallur Allahu juve, o muslimanë, nëpërmjet të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e allahut qofshin mbi të!), Kuranin dhe traditën e të Dërguarit.

[17] Atë që u është shpallur vetë atyre prej Librave të Allahut: Teurati, Inxhili, Zeburi.

[18] I binden dhe i nënshtrohen Allahut.

[19] Nuk i shtrembërojnë ato që u janë shpallur në Librat e Allahut, qoftë në lidhje me përshkrimin e Muhamedit dhe profetësisë së tij, apo me të gjitha ligjet dhe gjykimet e Allahut që përmenden në to. Por, ata i nënshtrohen të vërtetës dhe i binden Allahut në ato që i ka urdhëruar apo ndaluar, dhe nuk ndjekin epshet dhe dëshirat vetjake.

[20] Për veprat dhe bindjen e tyre ndaj Allahut.

[21] Të ruajtur te Zoti i tyre për ta marrë atë në ditën e Kiametit.

[22] Shpejtësia e Allahut në llogari është: se Atij nuk i shpëton asgjë më e vogël prej punëve të tyre, si para se të veprojnë apo pas veprimit, kështu që nuk ka nevojë t’i numërojë ato dhe të vonohet duke i numëruar. Ai është i Gjithëdijshmi.

[23] Që keni besuar Allahun, të Dërguarin e Tij, Muhamedin dhe atë që i është shpallur atij nga Allahu.

[24] Në fenë tuaj dhe në bindjen ndaj Zotit tuaj. Durimi përfshin lënien e gjynaheve, kryerjen e obligimeve dhe durimin në fatkeqësi, dhe Allahu urdhëron për të bërë durim në të gjitha këto.

[25] Bëhuni më të durueshëm se armiku dhe vazhdoni me këmbëngulje në durim, në mënyrë që ta mposhtni armikun tuaj dhe të ngrini lartë Fjalën e Allahut.

[26] Në ruajtjen e kufijve të muslimanëve nga ku mund të hyjë armiku.

[27] Ruajuni kundërshtimit të urdhrit të Tij apo shkeljes së ndalesave të Tij.

[28] Që të shpëtoni nga dënimi i zjarrit dhe të fitoni të mirat e xhenetit dhe lumturinë e përhershme, gjë e cila nuk mund të arrihet veçse me këto treja: me durim, këmbëngulje në durim më shumë se armiku dhe vigjilencë.

-76-