SURJA “JUNUS”

(Surja Nr. 10, Mekase, 109 Ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Elif, Lam, Ra.[1] Këto janë vargjet e Librit të Urtë.[2]
  2. A ishte çudi për njerëzit që Ne i shpallëm një burri prej tyre:[3] “Paralajmëroji njerëzit[4] dhe jepu lajmin e mirë atyre që besojnë se, me të vërtetë, ata kanë shpërblim të mirë te Zoti i tyre”?[5] Por mohuesit thanë: “Vërtet, ky është një magjistar i qartë!”[6]
  3. Me të vërtetë, Zoti juaj është Allahu,[7] i Cili i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë,[8] pastaj qëndroi mbi Arsh.[9] Ai rregullon dhe drejton çdo gjë.[10] S’ka ndërmjetës tek Ai, përveçse pas lejes së Tij.[11] Ky është Allahu, Zoti juaj, prandaj adhurojeni vetëm Atë![12] A nuk po merrni mësim?![13]
  4. Tek Ai është kthimi i të gjithë juve[14] – premtimi i Allahut është i vërtetë.[15] Ai krijon për herë të parë, pastaj e rikthen atë (krijimin pas zhdukjes),[16] që t’i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me drejtësi;[17] ndërsa ata që mohuan do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të dhembshëm, për shkak se mohonin.[18]
  5. Është Ai që e bëri Diellin burim drite,[19] kurse Hënën dritë, dhe i caktoi asaj faza – që të mund të dini numrin e viteve dhe llogaritjen e kohës.[20] Allahu nuk i ka krijuar këto veçse me të vërtetën.[21] Ai i sqaron provat për ata njerëz që dijnë.[22]
  6. Vërtet, në ndërrimin e natës dhe ditës, dhe në atë që Allahu ka krijuar në qiej dhe Tokë, ka prova për njerëzit që i frikësohen Allahut.[23]

[1] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab, nga të cilat përbëhet edhe Kurani. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

[2] Këto janë ajetet e Kuranit të urtë dhe të përpiktë, i cili përmban urtësi dhe prova të padiskutueshme të besimit dhe ligjeve hyjnore.

[3] I shpallën Kuranin Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), i cili përmban paralajmërim dhe përgëzim.

[4] Paralajëroji njerëzit për ndëshkimin e Allahut ndaj atyre që e mohojnë Atë dhe që thyejnë urdhrat dhe ndalesat e Tij, dhe kujtoju atyre provat dhe argumentet e Allahut.

[5] Kanë shpërblim të mirë e të madh dhe pozitë të lartë te Zoti i tyre për punët e mira dhe të sinqerta që kanë bërë më parë në dynja.

[6] Ata që mohuan Allahu dhe profetësinë e të Dërguarit të Tij u çuditën aq shumë me madhështinë dhe atributet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) sa që kjo gjë i çoi ata në mohimin e tij, duke thënë se ai është magjistar me magji të qartë që e shohin të gjithë – për shkak të kryeneçësisë dhe injorancës së tyre që nuk e dinin çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe për ta.

[7] Zoti juaj që ju ka krijuar dhe që duhet të adhuroni, është vetëm Allahu.

[8] Allahu është Krijuesi i Vetëm i qiejve dhe i Tokës, dhe nuk ka krijues tjetër përveç Tij, i Cili e krijoi gjithësinë brenda gjashtë ditëve, megjithëse mund ta krijonte në çast, por Ai vepron me Urtësinë e Tij çfarë të dojë, dhe nga Urtësia e Tij është se Ai i krijoi qiejtë dhe Tokën me të vërtetën dhe për të vërtetën; që të njihet me Emrat dhe Atributet e Tij absolute, dhe të veçohet vetëm Ai me adhurim.

[9] Pastaj qëndroi mbi Arshin – Fronin e Tij, ashtu si i takon Madhështisë së Tij, të Lartësuarit. Arshi është krijesa më e madhe e Allahut dhe tavani i të gjitha krijesave të tjera.

[10] Ai rregullon dhe drejton të gjitha çështjet e krijimit dhe krijesave të Tij, vendos ligjet fizike dhe fetare mes krijesave të Tij, dhe askush nuk mund ta kundërshtojë Atë në vendimet e Tij, apo të kontrollojë drejtimin e Tij; vendimet e Tij janë të pagabueshme. Atë nuk e preokupon një çështje ndaj një çështje tjetër dhe Atij nuk i ngatërrohen çështjet. Të gjitha krijesat janë të nënshtruara para Madhështisë dhe Pushtetit të Tij.

[11] Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai për ndokënd në ditën e Kiametit, veçse pasi t’i japë Ai leje për ndërmjetësim.

[12][12] Ky është Zoti juaj, i Cili ju ka krijuar, dhe këto janë cilësitë e Tij Absolute, prandaj adhuroni vetëm Atë me adhurim të sinqertë dhe të pastër.

[13] A nuk po merrni mësim nga këto prova dhe argumente që vërtetojnë se Allahu është Krijuesi dhe Zoti juaj, të Cilit duhet t’i nënshtroheni dhe të Cilin duhet ta adhuroni pa i shoqëruar asgjë në adhurim?!

[14] Te Allahu, Krijuesi juaj, do të ktheheni të gjithë ju, o njerëz dhe xhinë, në ditën e Kiametit.

[15] Premtimi i Allahut që Ai do ju ringjallë dhe do ju rikthejë tek Ai në botën tjetër për të dhënë llogari dhe për të marrë secili shpërblimin që i takon, është premtim i vërtetë dhe i pakthyeshëm.

[16] Allahu i krijon krijesat e Tij për herë të pare, nga asgjëja, pastaj i rikthen ato në jetë pas vdekjes së tyre, njësoj si i krijoi për herë të parë, dhe padyshim që përsëritja dhe rikthimi i diçkaje të krijuar një herë më parë, është më e lehtë se krijimi fillestar, sipas perceptimit njerëzor, përndryshe për Allahun është e lehtë si krijimi për herë të parë, ashtu edhe përsëritja dhe rikrijimi apo rikthimi në jetë i të vdekurve.

[17] Rikrijimi dhe ringjallja e të vdekurve për të marrë secili atë që meriton nga veprat e bëra në dynja, dhe për të shkuar drejtësia në vend, është një kusht i domosdoshëm i drejtësisë absolute të Allahut, pa të cilën nuk mund të plotësohet drejtësia mes krijesave; dhe padyshim se ata që kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që kanë vepruar në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të marrin shpërblimin e drejtë dhe të plotë tek Allahu.

[18] Ata që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe përgënjeshtruan provat e Allahut, do të hyjnë në zjarrin e xhehenemit, ku pija e tyre do të jetë nga uji i vluar i cili të pjek fytyrën dhe të këput zorrët, dhe ku do të kenë dënim të dhembshëm, përveç ujit të vluar; për shkak se ata mohonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij pavarësisht provave të qarta që u erdhën. Pra, ata i bënë padrejtësi vetvetes me mohimin e tyre, se Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

[19] Zoti juaj, i Cili krijoi qiejtë dhe Tokën, është po Ai që e bëri Diellin burim drite dhe energjie të pashtershme, i cili ndriçon ditën, dhe nga drita e tij ndriçohen, marrin energji dhe ngrohen planetet dhe hënat e të gjithë Sistemit Diellor, përfshirë Hënën tonë.

[20] Allahu e bëri hënën dritë që shkëlqen dhe ndriçon natën, dhe i caktoi asaj fazat e saj – 28 faza dhe pozicione të ndryshme gjatë 28 netëve, pastaj fshihet për 1 ose 2 netë, për t’u plotësuar kështu muaji hënor me 29 ose 30 ditë, pastaj shfaqet përsëri në pozicionet e saj gjatë muajit pasardhës, me qëllim që njerëzit të mund të llogarisin vitet dhe kohën.

[21] Allahu i krijoi qiejtë dhe Tokën, dhe gjithçka mes tyre, me të vërtetën – me përpikmërinë absolute, dhe për të vërtetën – për të qenë provë e qartë për njerëzit që të shohin fuqinë dhe Madhështinë e Zotit të tyre në krijimin e Tij madhështor, të përpiktë dhe të pagabueshëm, dhe kështu ta besojnë Atë dhe të adhurojnë vetëm Atë,duke mos i shoqëruar asnjë shok apo ortak.

[22] Provat e Allahut i kuptojnë njerëzit që kanë dije dhe që meditojnë në krijimin e Allahut. Shkencëtarët dhe astronomët i kuptojnë shumë mirë provat e Allahut, sepse ata i studiojnë ato dhe e shohin me sytë e tyre se si Allahu e ka krijuar gjithësinë, dhe sa e përpiktë është ajo, por nuk udhëzohen prej tyre në besimin e vërtetë dhe në adhurimin e Allahut të Vetëm, veçse ata që Allahu i jep sukses të udhëzohen duke parë atë që kanë në zemrat e tyre.

[23] Në ndërrimin e natës me ditën dhe të ditës me natën – kur vjen njëra, ikën tjetra, dhe kur vjen tjetra, ikën e para – dhe në gjithçka që Allahu ka krijuar në qiej e në Tokë prej yjeve e galaktikave, detërave e lumenjve, dhe gjithçka që Ai ka krijuar me përpikmërinë absolute, që të gjitha këto vërtetojnë se Krijuesi i tyre është Një dhe i Pashoq; por ato i bëjnë dobi vetëm njerëzve që besojnë Allahun, i ruhen ndëshkimit të Tij dhe adhurojnë vetëm Atë.

-208-


  1. Sigurisht, ata që nuk e shpresojnë takimin me Ne,[1] që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke ndjerë siguri në të[2] dhe që janë të pavëmendshëm ndaj provave Tona;[3]
  2. streha e atyre është Zjarri, për shkak të asaj që kanë fituar.[4]
  3. Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira[5] – Zoti i tyre do t’i udhëzojë, për shkak të besimit të tyre.[6] Nën ta do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë;[7]
  4. Lutja e tyre atje do të jetë “I Lartësuar je Ti, o Zot!”, kurse përshëndetja e tyre do të jetë “Paqe!” dhe lutja e tyre e fundit do të jetë “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve”![8]
  5. Sikur Allahu t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç ua shpejton të mirën, atyre do u kishte mbaruar afati.[9] Por, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, ne i lëmë të enden verbërisht në humbjen e tyre.[10]
  6. Kur njeriun e godet e keqja, ai Na lutet qoftë i shtrirë, ulur, apo në këmbë;[11] por sapo Ne ia largojmë të keqen, ai vazhdon sikur të mos na ishte lutur kurrë për fatkeqësinë që e goditi.[12] Kështu, atyre që e teprojnë iu zbukurohet ajo që punojnë.[13]
  7. Ne i zhdukëm brezat para jush, kur bënë padrejtësi;[14] dhe megjithëse të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta, ata nuk besuan.[15] Kështu i dënojmë Ne njerëzit kriminelë.[16]
  8. Pastaj Ne ju bëmë zëvendës në Tokë pas tyre, për të parë se si do të veproni.[17]

[1] Ata që nuk e dëshirojnë, nuk e presin, nuk e kanë frikë dhe e mohojnë takimin me Allahun në ditën e Kiametit dhe shpërblimin për veprat e tyre në dynja.

[2] Që e duan këtë botë dhe stolitë e saj, aq shumë sa që nuk duan të ikin prej saj, sepse ndjehen të sigurt në të, megjithëse e dinë mirë se askush nuk e ka gëzuar dhe nuk mund ta gëzojë atë, por për shkak të veprave të tyre të këqija dhe atë që i pret në botën tjetër, nuk duan të vdesin dhe nuk e duan takimin me Zotin e tyre!

[3] Që nuk marrin mësim nga provat dhe shpalljet e Allahut megjithëse i shohin qartë.

[4] Streha e përhershme dhe përfundimi i tyre është zjarri i Xhehenemit në botën tjetër, për shkak të mohimit të Allahut, veprave të këqija dhe krimeve që bënin në dynja.

[5] Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe veprojnë në bindje ndaj Allahut dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[6] Për shkak të besimit të tyre, Allahu i udhëzon ata në rrugën e Drejtë dhe në çdo të mirë në këtë botë, dhe rrugën që të çon në xhenetet e kënaqësisë në botën tjetër.

[7] Pranë tyre rrjedhin pa ndaluar lumenjtë e xhenetit të kënaqësive të plota dhe të pafund; të lumturisë, gëzimit, shijimit të begative të pafund, ku shohin Allahun dhe dëgjojnë Fjalën e Tij, ku kanë kënaqësinë e Tij dhe mirësitë e kënaqësitë e pafund, që nuk i ka parë e dëgjuar askush, dhe nuk mund t’i imagjinojë askush.

[8] Adhurimi i banorëve të xhenetit në xhenet do të jetë duke filluar me lartësim të Allahut dhe pastrim të Tij nga çdo e metë (subhaneke Allahumme!), dhe duke përfunduar me falënderim të Allahut; pra detyrimet e ndryshme fetare që i kanë pasur në dynja, do të jenë shfuqizuar të gjitha, dhe do të mbesë vetëm ajka e adhurimit, me të cilën ata adhurojnë Allahun dhe që e shijojnë aq shumë në vetet dhe shpirtrat e tyre; Adhurimi i tyre do te jëtë përmendja e Allahu me të cilën qetësohen zemrat dhe e cila do të jetë për ta në njësoj si oksigjeni që thithin, pa u lodhur dhe pa u munduar.

[9] Sikur Allahu t’ua shpejtonte te keqen njerëzve, kur ata e meritojnë atë për shkak të veprave të tyre të këqia, ashtu si ua shpejton të mirën kur e miretojnë atë për shkak të veprave të mira, atyre do u vinte dënimi shfarosës, por Allahu me butësinë dhe urtësinë e Tij i afatizon ata pa i harruar, si dhe fal shumë nga mëshira e Tij; por nëse do u jepte atyre dënimin e merituar, nuk do të linte asnjë njeri mbi Tokë.

[10] Ata që nuk e besojnë takimin me Allahun dhe nuk shpresojnë shpërblim në botën tjetër, dhe si rrjedhojë nuk përgatiten për atë botë me vepra të mira në këtë botë, Allahu i lë ata të enden të verbër dhe në mëdyshje në humbjen dhe largimin e tyre nga e vërteta; si ndëshkim për padrejtësinë e tyre dhe përgënjeshtrimin e provave të Allahut.

[11] Duke iu lutur Zotit në çdo gjendje që të jetë, me gjithë shpirt dhe me këmbëngulje, që Allahu ta shpëtojë dhe t’ia largojë fatkeqësinë që i ka rënë.

[12] Kur Allahu ia largon të keqen, njeriu vazhdon njësoj si më parë në rrugën e tij, i pavëmendshëm dhe larg Zotit të tij, sikur të mos e kishte goditur ndonjë e keqe dhe sikur të mos i ishte lutur Zotit ndonjëherë për t’ia larguar të keqen; a ka padrejtësi më të madhe se kjo?! I kërkon Allahut që t’i largojë të keqen që i ka rënë, pastaj, kur Allahu ia largon atë të keqe, ai nuk e falënderon, nuk e kujton më Allahun dhe nuk do t’ia dijë nëse ka detyrime ndaj Zotit të Tij. Padyshim që këtë lloj sjellje atyre ua zbukuron shejtani, me qëllim që ata të vazhdojnë në humbje dhe të jenë në partinë e tij.

[13] Kështu ia zbukuron shejtani sjelljen dhe veprat atyre që e teprojnë në shkeljen e kufijve të Allahut, mohimin e Allahut dhe idhujtari.

[14] Kur i bënë shok Allahut dhe adhuruan idhujt.

[15] Të dërguarit e Allahut u sollën atyre prova të qarta nga Allahu që argumentonin të vërtetën e profetësisë dhe të asaj që u ishte shpallur atyre, por ata nuk i besuan të dërguarit e Allahut dhe as thirrjen e tyre për të adhuruar vetëm Allahun dhe për të mos i shoqëruar Atij askënd dhe asgjë në adhurim.

[16] Ashtu si dënuan dhe shkatërruam popujt e mëparshëm për shkak të padrejtësisë dhe idhujtarisë së tyre, po kështu i dënojmë të gjithë kriminelët që mohojnë të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) dhe që i bëjnë shok Allahut në adhurim, në rast se ata nuk pendohen dhe nuk kthehen në rrugën e drejtë; Dënimi i tyre është me tërheqjen e zemërimit të Allahut ndaj tyre në këtë botë, dhe me futjen në zjarrin e Xhehenemit në botën tjetër.

[17] Pastaj, Ne ju bëmë juve, o njerëz të këtij brezi në të cilin po shpallet Kurani dhe të brezave që do të vijnë deri në ditën e Kiametit, zevendës dhe pasardhës të brezave të mëparshëm që i shkatërruam për shkak të padrejtësisë së tyre, me qëllim që Zoti juaj të shohë si do të veproni dhe t’ju japë shpërblimin apo ndëshkimin që do të meritoni sipas veprave që do të bëni.

-209-


  1. Kur atyre u lexohen ajetet Tona si prova të qarta, ata që nuk e shpresojnë takimin me Ne[1] thonë: “Na sill një Kuran tjetër nga ky ose ndryshoje atë!”[2] Thuaj (O Muhamed): “Nuk më takon mua ta ndryshoj atë nga vetja ime. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet. Vërtet, unë kam frikë – nëse e kundërshtoj Zotin tim – dënimin e një Dite të tmerrshme.”[3]
  2. Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar atë (Kuranin) dhe Ai (Allahu) nuk do jua kishte mësuar atë (nga të dërguar të tjerë). Unë kam jetuar në mesin tuaj një jetë të tërë para tij (shpalljes së Kuranit), a nuk arsyetoni?”[4]
  3. Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtër për Allahun ose që i përgënjeshtron provat e Tij?![5] Me të vërtetë, keqbërësit nuk kanë shpëtim.[6]
  4. Ata adhurojnë në vend të Allahut gjëra që as nuk u bëjnë dëm, as nuk u sjellin dobi,[7] dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë tek Allahu!” Thuaj: “A po i tregoni Allahut diçka që Ai nuk e ditka në qiej apo në Tokë?!” I Pastër është Ai dhe shumë i Lartë nga ajo që i shoqërojnë![8]
  5. Të gjithë njerëzit kanë qenë të një feje të vetme, por pastaj u ndanë.[9] Dhe sikur të mos ishte thënë më parë një fjalë nga Zoti yt, do të gjykohej midis tyre menjëherë, për atë që u ndanë.[10]
  6. Ata thonë: “Përse nuk i ka zbritur atij (Muhamedit) ndonjë provë nga Zoti i tij?”[11] Thuaju: “Me të vërtetë, e fshehta i takon vetëm Allahut, prandaj prisni, se edhe unë jam bashkë me ju në mesin e atyre që po presin.”[12]

[1] Kur idhujtarëve dhe mohuesve që nuk e besojnë botën tjetër dhe nuk e kanë frikë takimin me Allahun, as nuk shpresojnë shpërblim apo ndëshkim për veprat e tyre, kur atyre u lexohen ajetet e Kuranit si prova të qarta nga Allahu, ata thonë …

[2] Na sill një Kuran tjetër që thotë ato që na pëlqejnë neve dhe që nuk i shan idhujt tanë, ose ndrysho ajetet e këtij Kurani me të tjera që na shkojnë neve përshtat, nëse do që të besojmë dhe të pasojmë ty, o Muhamed!

[3] Unë jam vetëm i Dërguar i Allahut dhe nuk më takon mua dhe as nuk mundem që të sjell Kuran tjetër apo ta ndryshoj këtë Kuran nga vetja ime dhe sipas dëshirës sime, por unë ndjek vetëm atë që më shpallet nga Zoti im dhe jam një nga robërit dhe krijesat e Tij, që kam frikë se nëse kundërshtoj diçka të vogël nga urdhrat e Zotit Tim, do të dënohem në ditën e tmerrshme të Kiametit. Prandaj, o idhujtarë e mohues të Allahut dhe provave të Tij, kini frikë Allahun dhe kini frikë ndëshkimin e ditës së tmerrshme të Kiametit dhe të botës tjetër, kthehuni tek Allahu me pendim dhe adhuroni vetëm atë me sinqeritet.

[4] Unë jua lexoj dhe mësoj juve Kuranin sepse kështu më ka shpallur dhe urdhëruar Allahu, përndryshe unë kam jetuar mes jush dyzet vjet para se të më shpallej Kurani, dhe ju më njihni shumë mirë, dhe gjatë gjithë atyre dyzet viteve unë kurrë nuk ju kam lexuar apo mësuar diçka të tillë si Kurani, madje as nuk dija shkrim e lexim, kështu që ky Kuran mua më është shpallur nga Allahu dhe nuk është nga vetja ime; a nuk e përdorni aspak logjikën për të kuptuar dhe pranuar të vërtetën?!

[5] Nuk ka më të padrejtë se ai që shpif gënjeshtër për Allahun ose që i përgënjeshtron provat e Allahut, të dërguarit e Tij dhe ajetet e Librit të Tij, Kuranin.

[6] Mohuesit e Allahut dhe përgënjeshtruesit e provave të Allahut dhe të dërguarve të Tij nuk do të kenë shpëtim kur të takojnë Zotin e tyre në ditën e Kiametit, por do të dënohen në zjarrin e Xhehenemit përjetësisht.

[7] Idhujtarët adhurojnë në vend të Allahut gjëra që nuk u bëjnë ndonjë dëm, nëse nuk i adhurojnë, dhe as nuk do u sjellin ndonjë dobi apo të mirë, nëse i adhurojnë; kështu që ata veprojnë vërtet pa logjikë dhe janë në humbje të madhe.

[8] A po i mësoni Allahut diçka që nuk e ditka, në lidhje me këta idhuj që ju, o idhujtarë, i merrni për ndërmjetës tek Allahu; përndryshe, nëse do të kishte ndërmjetës tek Ai në qiej apo në Tokë, ata do i kishte krijuar dhe caktuar Ai, dhe jo vetëm që do e dinte për ekzistencën e tyre, por ju trilloni gënjeshtër ndaj Allahut, e Allahu është i Pastër dhe shumë i Lartë nga çdo gjë që ju i shoqëroni Atij, o idhujtarë.

[9] Të gjithë njerëzit kanë qenë të një feje të vetme, të fesë Islame, që nga Ademi (alejhis selam) deri te Nuhu (alejhis selam), por më pas ndryshuan dhe u ndanë në grupe dhe besime të ndryshme; disa qëndruan në besimin e vërtetë Islam, kurse të tjerë mohuan dhe u bënë idhujtarë.

[10] Sikur Allahu të mos e kishte caktuar më parë se nuk do ta shkatërronte dhe nuk do ta merrte jetën e askujt në këtë botë para se t’i vinte afati i caktuar nga Vetë Ai (exheli i vdekjes), Ai do të kishte gjykuar menjëherë mes njerëzve me shkatërrimin dhe vdekjen e idhujtarëve dhe mohuesve, dhe me shpëtimin e besimtarëve që qëndruan në fenë dhe besimin e vërtetë.

[11] Idhujtarët dhe mohuesit thonë: “Përse nuk i zbret Muhamedit ndonjë provë dhe mrekulli e dukshme dhe e prekshme ashtu si i ka zbritur profetëve të mëparshëm, si Musai apo Isai, që ta besojmë se ai është vërtet i dërguar i Zotit?”

[12] Të fshehtën e di vetëm Allahu, dhe nëse do Ai, e zbret provën që kërkoni, e nëse do, nuk e zbret – sipas Urtësisë së Tij; por gjithësesi, ju i keni tashmë të gjitha provat se unë (Muhamedi) jam i Dërguari i Allahut dhe se Allahu është i Vetmi që duhet të adhuroni dhe t’i bindeni, kështu që prisni që Allahu të gjykojë mes nesh dhe t’ia nxitojë ndëshkimin atij që është në rrugë të gabuar e t’i japë fitoren atij që është në rrugë të drejtë; se edhe unë jam duke e pritur përfundimin tuaj. Dhe kjo ndodhi në luftën e Bedrit, kur Allahu i dha fitoren besimtarëve kundër idhujtarëve, dhe ku u vra një numër i madh i parisë idhujtare kurashite; si ndëshkim për ta në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret ndëshkimi më i rëndë dhe i përhershëm.

-210-


  1. Kur Ne u japim njerëzve të shijojnë mëshirë, pas një të keqe që i godet, ata menjëherë komplotojnë kundër provave Tona![1] Thuaj: “Allahu është më i shpejtë në komplot.”[2] Me të vërtetë, të dërguarit Tanë (engjëjt) i regjistrojnë ato që ju komplotoni.[3]
  2. Është Ai që jua mundëson të udhëtoni nëpër tokë dhe det.[4] Kur jeni në anije, dhe ajo lundron me ta (udhëtarët) me erë të përshtatshme, e ata i gëzohen asaj (erës), vjen një erë me stuhi dhe u vijnë dallgët nga të gjitha anët, sa që mendojnë se u erdhi fundi, atëherë i luten Allahut, duke qenë të sinqertë në besimin vetëm tek Ai:[5] “Nëse na shpëton nga kjo, ne me siguri do të jemi nga mirënjohësit”.[6]
  3. Por kur Ai i shpëton ata, ata menjëherë bëjnë keq në Tokë pa të drejtë.[7] O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni është vetëm kundër jush[8] – thjesht kënaqësi e jetës së kësaj bote,[9] pastaj kthimi juaj është te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.[10]
  4. Me të vërtetë, shembulli i jetës së kësaj bote[11] është si ai shiu që Ne e zbresim nga qielli dhe që përziehet me bimët e Tokës – nga të cilat ushqehen njerëzit dhe bagëtitë – dhe kur Toka vishet dhe zbukurohet,[12] dhe banorët e saj mendojnë se janë të zotë mbi të,[13] asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, dhe Ne e bëjmë atë si të korrur, sikur të mos kishte ekzistuar dje.[14] Kështu ua shpjegojmë provat Tona njerëzve që mendojnë.[15]
  5. Allahu fton në Shtëpinë e Paqes (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugë të drejtë.[16]

[1] Kur i japim idhujtarëve të shijojnë diçka nga mëshira pas një fatkeqësie që i kishte goditur, dhe lehtësim pas vështirësisë, ata jo vetëm që nuk falënderojnë Allahun, por përgënjeshtrojnë, tallen dhe përpiqen me të gjitha mënyrat kundër provave dhe shpalljeve të Allahut.

[2] Allahu është më i shpejtë dhe më i saktë në komplot kundër jush, se sa ju, o idhujtarë, kundër provave të Tij, dhe Ai ju tërheq që të zhyteni sa më shumë në mëkatet dhe intrigat tuaja, që të merrni ndëshkimin më të madh që meritoni.

[3] Engjëjt e dërguar nga Allahu i regjistrojnë të gjitha komplotet kundër provave të Allahut dhe të gjitha veprat e njerëzve, për të qenë provë e pamohueshme në ditën e Llogarisë.

[4] Është Allahu Ai që ju mundëson juve, o njerëz, të udhëtoni nëpër tokë duke ecur në këmbë apo kaluar mbi kafshë apo mjete udhëtimi, dhe të udhëtoni gjithashtu mbi det me anije e mjete lundruese.

[5] Duke i braktisur idhujt e tyre, të cilët nuk mund t’i ndihmojnë gjithësesi, dhe ata e dinë shumë mirë këtë.

[6] Do të jemi falënderues për mirësinë Tënde, që na shpëtove nga vdekja e sigurt, dhe do të adhurojmë e bindemi vetëm Ty, e do t’i braktisim idhujt që i adhuronim më parë.

[7] Kur Allahu i shpëton ata që i luten Atij kur i zë stuhia në det dhe kur mendojnë se do të mbyten, ata menjëherë e thyejnë premtimin që i dhanë Allahut nëse do i shpëtonte, dhe kthehen të bëjnë keq në Tokë, të mohojnë Allahun dhe t’i bëjnë shok Atij, në vend që ta falënderonin dhe të adhuronin vetëm Atë, siç i premtuan dhe siç e meriton.

[8] Sepse do të ndëshkoheni për padrejtësinë që bëni, kështu që sa do padrejtësi që të bëni, veten tuaj do të dëmtoni.

[9] Ajo që do të arrini është thjesht pak kënaqësi nga jeta e kësaj bote kalimtare, që nuk zgjat.

[10] Pasi të vdisni, kthimi juaj është tek Allahu, dhe Allahu do ju japë shpërblimin që meritoni sipas veprave që keni bërë në dynja.

[11] Shembulli i jetës së kësaj bote dhe sendeve me të cilat i mburreni njëri-tjetrit prej stolive dhe pasurive të saj.

[12] Kur Toka vishet me bimë dhe zbukurohet me lule.

[13] Janë të zotë që të vjelin dhe korrin frytet e saj dhe t’i shijojnë e përfitojnë prej tyre.

[14] Kur të mbjellat të jenë bërë gati për t’u korrur, dhe frutat gati për t’u vjelur, dhe njerëzit të mendojnë se asgjë nuk do i pengojë nga korrja dhe vjelja, atëherë vjen urdhri i Allahut dhe ndëshkimi apo caktimi i Tij me shkatërrimin e të gjitha të korrave dhe të vjelave, sikur të mos kishin ekzistuar një ditë më parë.

[15] Po kështu, si shkatërrimi i të korrave dhe të vjelave vetëm pak çaste para korrjes dhe vjeljes së tyre dhe mos-arritja e shijimit dhe përfitimit prej tyre, po kështu i vjen shkatërrimi dhe fundi stolive dhe pasurive të kësaj bote me të cilat i mburreni njëri-tjetrit, kështu që merrni mësim; megjithëse provat e Allahut dhe shembujt që Ai sjell i kuptojnë vetëm njerëzit që mendojnë dhe meditojnë për ato që i bëjnë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër.

[16] Duke ju ftuar në besim, Allahu ju fton në Shtëpinë e Tij të Paqes dhe Shpëtimit nga të gjitha shqetësimet dhe mërzitjet, në Xhenetin që e ka përgatitur për miqtë dhe të dashurit e Tij; dhe Ai i jep sukses kujt të dojë nga krijesat e Tij që të udhëzohet në rrugën e drejtë të Islamit, rrugës që të çon në Shtëpinë e Paqes.

-211-


  1. Ata që veprojnë mirë,[1] do të kenë shpërblimin më të mirë dhe diçka shtesë![2] Fytyrat e tyre nuk do t’i mbulojë as errësirë, as poshtërim.[3] Këta janë banorë të Xhenetit – ata do të qëndrojnë aty përgjithmonë.[4]
  2. Kurse ata që bëjnë vepra të këqija[5] – dënimi për një vepër të keqe është njësoj sa ajo,[6] dhe ata do t’i mbulojë poshtërimi.[7] Ata nuk do kenë askënd që t’i mbrojë nga Allahu.[8] Fytyrat e tyre do të duken sikur të ishin të mbuluara me copa nate të errëta.[9] Këta janë banorët e zjarrit – ata do të qëndrojnë aty përgjithmonë.[10]
  3. Ditën kur do t’i tubojmë të gjithë, do t’u themi idhujtarëve: “Rrini në vendet tuaja, ju dhe idhujt tuaj!”[11] Pastaj do t’i ndajmë ata,[12] dhe idhujt e tyre do t’u thonë: “Ju nuk na keni adhuruar neve.[13]
  4. Mjafton Allahu si dëshmitar midis nesh dhe jush, se ne kemi qenë të pavetëdijshëm për adhurimin tuaj.”[14]
  5. Atje, çdo shpirt do të inspektojë atë që ka punuar më parë,[15] dhe do të kthehen tek Allahu, Zoti i tyre i Vërtetë, ndërsa ajo çfarë ata trillonin, do t’u humbas.[16]
  6. Thuaj: “Kush ju furnizon nga qielli dhe Toka?[17] Apo kush e zotëron dëgjimin dhe shikimin;[18] Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla dhe kush i drejton çështjet?”[19] Ata do të thonë “Allahu”.[20] Thuaju: “Atëherë, a nuk keni frikë?”[21]
  7. E po, Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë.[22] E çfarë mund të ketë pas së vërtetës, përveç humbjes?[23] Pra, si shmangeni?[24]
  8. Kështu përmbushet fjala e Zotit tënd ndaj atyre që dalin nga bindja – se, me të vërtetë, ata nuk besojnë.[25]

[1] Ata që e kryejnë mirë adhurimin ndaj Allahut dhe i binden urdhrave dhe ndalesave të Tij; ata që arrijnë gradën e Ihsanit – bamirësisë – gradën më të lartë të besimit.

[2] Do të kenë shpërblimin më të madh tek Allahu, që është xheneti, dhe diçka shtesë, që është shikimi drejtpërdrejtë i Allahut të Madhëruar në Xhenet, dhe arritja e kënaqësisë së Tij.

[3] Fytyrat e tyre nuk do të nxihen nga dëshpërimi apo mërzitja, siç ndodh në dynja; dhe nuk do të mbulohen nga poshtërimi, siç do të ndodhë me banorët e zjarrit.

[4] Ata janë banorët e Xhenetit dhe trashëguesit e tij, dhe ata do të qëndrojnë në xhenet përgjithmonë, pambarim.

[5] Idhujtari, mohim të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mëkate, padrejtësi.

[6] Dënimi për një vepër të keqe tek Allahu në botën tjetër, do të jetë njësoj sa ajo vepër, pa u shtuar dhe pa u pakësuar, por me drejtësi absolute; ndryshe nga të mirat që Allahu e shumëfishon shpërblimin e tyre me Bujarinë e Tij.

[7] Poshtërimi dhe përçmimi nga dënimi i Allahut.

[8] Askush nuk do të mund t’i mbrojë ata nga dënimi i Allahut dhe askush nuk mund t’ia largojë e t’i shpëtojë nga ai dënim.

[9] Fytyrat e tyre do të jenë të nxira pus, sikur të ishin copa nate të errëta; nga dëshpërimi, mërzitja, poshtërimi dhe vuajtja në zjarrin e xhehenemit.

[10] Këta janë banorët e përhershëm të zjarrit dhe zjarri është banesa e tyre e përhershme.

[11] Ditën e Llogarisë, kur do t’i tubojmë të gjitha krijesat, do t’u themi idhujtarëve të qëndrojnë në vendet e tyre, ata dhe idhujt e tyre që ata i adhuronin në vend të Allahut.

[12] Do t’i ndajmë idhujtarët nga idhujt e tyre.

[13] Do të mohojnë adhurimin që u bëhej atyre nga adhuruesit e tyre në dynja, dhe do i braktisin ata kur të shohin dënimin e zjarrit.

[14] Vazhdon fjala e idhujve ndaj adhuruesve të tyre, të cilët mohojnë të jenë adhuruar me vetëdijen apo ndjesinë e tyre, madje shumica e tyre kanë qenë prej guri e druri, që as dëgjonin as flisnin në dynja.

[15] Në ditën e Llogarisë, çdo njeri dhe çdo shpirt do të kontrollojë, do të inspektojë dhe do të shohë në detaje çdo gjë që ka vepruar më parë në dynja; dhe do të marrë shpërblimin apo dënimin për veprat që ka bërë.

[16] Atë Ditë, idhujtarët – dhe të gjitha krijesat – do të kthehen te Zoti i tyre i Vërtetë dhe i Drejtë, kurse idhujt dhe zotat që ata adhuronin padrejtësisht në vend të Allahut, do të humbasin dhe do të zhduken.

[17] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve që adhurojnë idhujt në vend të Allahut: “Kush ju furnizon nga qielli me shi, Diell, dritë dhe errësirë, dhe nga Toka me bimë e pemë për t’u ushqyer?” Mos vallë janë idhujt tuaj që bëjnë diçka prej këtyre?!

[18] Kush e zotëron dhe kush e ka në dorë dëgjimin dhe shikimin tuaj dhe ju bën të shikoni apo të dëgjoni, e nëse do, jua merr këto?!

[19] Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura, dhe të vdekurën nga e gjalla; në mesin e krijesave të Allahut në Tokë e në qiej, që disa i njihni e shumicën nuk e njihni; Siç dalin bimët dhe pemët e gjalla nga farat dhe Toka e vdekur, apo siç del besimtari i gjallë nga mohuesi i vdekur, apo zogu nga veza, e kështu; dhe kush i drejton të gjitha çëshjet e gjithësisë, duke përfshirë të gjitha llojet e drejtimit dhe përkujdesjes Hyjnore?!

[20] Sigurisht që do të thonë se këto i bën Allahu, sepse e dinë se nuk mund t’i bëjë askush tjetër përveç Tij dhe se Allahu nuk ka shok në këtë pjesë; por ata i shoqërojnë Allahut shok në adhurim dhe falënderim; d.m.th. në vend që të adhurojnë Allahun dhe të falënderojnë Atë për mirësitë e Tij ndaj tyre, ata adhurojnë dhe falënderojnë idhujt, pastaj thonë se ato (idhujt) janë ndërmjetës të tyre tek Allahu, dhe se Allahu i ka urdhëruar që t’i adhurojnë ato – duke trilluar gënjeshtër ndaj Allahut!

[21] E pranoni që Allahu është Krijuesi, Zotëruesi dhe Drejtuesi e Mbajtësi i gjithçkaje që ekziston, duke ju përfshirë edhe vetë juve, dhe megjithatë ju përsëri nuk i frikësoheni Atij dhe nuk ia dedikoni adhurimin tuaj vetëm Atij, pa i shoqërur asnjë shok në adhurim?!

[22] Këto janë Cilësitë e Allahut, që u përmendën më sipër, Zotit tuaj të Vërtetë, të Cilin duhet të adhuroni, madhëroni e falënderoni.

[23] Çdo gjë tjetër përveç të vërtetës është humbje dhe e pavërtetë, dalje nga rruga e drejtë; pra, përderisa Zoti i Vërtetë është Allahu, atëherë kërkimi i idhujtarëve zot tjetër për ta adhuruar dhe për ta marrë për zot në vend të Allahut është e humbja dhe padrejtësia më e madhe, largim total nga e vërteta.

[24] Si shmangeni nga e vërteta dhe shkoni te e pavërteta dhe humbja? Si i shmangeni adhurimit të Një Zoti të Vetëm, dhe shkoni te adhurimi i të tjerëve në vend të Tij?!

[25] Kështu, si largimi i këtyre idhujtarëve nga e vërteta te e pavërteta dhe humbja, po kështu përmbushet Fjala e Zotit tënd dhe caktimi i Tij (futja e tyre në zjarrin e Xhehenemit) ndaj atyre që dalin nga bindja ndaj Zotit të tyre në mosbindje dhe mohim, sepse ata nuk besojnë Allahun për Zot të Vetëm e të Pashoq, dhe as Muhamedin për të Dërguar të Allahut.

-212-


  1. Thuaj: “A ka nga idhujt tuaj ndonjë që mund të krijojë diçka për herë të parë, pastaj ta rikthejë atë (pas zhdukjes)?”[1] Thuaj: “Allahu krijon për herë të parë, pastaj e rikthen atë (pas zhdukjes)![2] Pra, si mashtroheni?”[3]
  2. Thuaj: “A ka nga idhujt tuaj ndonjë që mund të udhëzojë në të vërtetën?”[4] Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për të vërtetën![5] Atëherë, a është më e denjë të ndiqet Ai që udhëzon në të vërtetën apo ai që as vetë nuk mund të drejtohet, veç nëse e drejton dikush?[6] Ç’është kështu me ju – si gjykoni?!”[7]
  3. Shumica e tyre nuk ndjekin gjë tjetër veçse hamendjen,[8] por hamendja nuk vlen aspak kundrejt të vërtetës.[9] Vërtet, Allahu e di mirë çfarë bëjnë ata.[10]
  4. Ky Kuran nuk mund të bëhej nga dikush tjetër veç Allahut,[11] por ai është vërtetues i shpalljeve para tij dhe shpjegues i Librit; për të (Kuranin) nuk ka dyshim që është nga Zoti i botëve![12]
  5. Apo thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”? Thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (për ndihmë) këdo që të mundeni, përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë.”[13]
  6. Por ata e përgënjeshtruan atë (Kuranin) pa e njohur plotësisht, dhe atyre nuk u ka ardhur ende interpretimi e tij.[14] Kështu kanë mohuar edhe ata që ishin para tyre; prandaj shiko se si ka qenë fundi i të padrejtëve![15]
  7. Ka prej tyre që do e besojnë atë (Kuranin) dhe ka prej tyre që nuk do e besojnë atë. Zoti yt i njeh më së miri prishësit.[16]
  8. Nëse ata të përgënjeshtrojnë, thuaju: “Unë kam punën time, kurse ju keni punën tuaj. Ju jeni të çliruar nga ajo që bëj unë dhe unë jam i çliruar nga ajo që bëni ju.”[17]
  9. Ka prej atyre që të dëgjojnë – por, a mos je ti (Muhamed) që e bën të dëjojë të shurdhërin – edhe pse ata nuk logjikojnë?[18]

[1] Thuaj, o Muhamed, idhujtarëve: «A ka ndonjë nga idhujt tuaj që mund të krijojë diçka për herë të parë, nga asgjëja, pastaj ta zhdukë atë, dhe pastaj ta rikthejë përsëri ashtu si ishte para se ta zhdukte?!» Sigurisht që ata e dinë se krijimin dhe rikthimin mund ta bëjë vetëm Allahu, dhe se idhujt e tyre nuk mund të bëjnë asgjë të tillë, dhe as veten e tyre nuk mund të ruajnë.

[2] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve të cilët e pranojnë që idhujt e tyre nuk mund të krijojnë apo të rikthejnë në jetë: «Allahu është Ai që krijon për herë të parë, nga asgjëja, pastaj rikthen në jetë pas vdekjes dhe zhdukjes.

[3] Si largoheni nga rruga e drejtë e adhurimit të Një Zoti të Vetëm, në rrugën e gabuar dhe të shtrembër të adhurimit të idhujve që nuk mund të krijojnë asgjë dhe që janë të krijuar?!

[4] A ka ndonjë nga idhujt që ju adhuroni në vend të Allahut, që mund të udhëzojë në rrugën e drejtë dikë që është në rrugë të gabuar? Sigurisht që ata nuk mund të thonë që « po », sepse kështu do të gënjenin për diçka krejtësisht të dukshme dhe të qartë që idhujt e tyre nuk mund ta bëjnë, sepse janë thjesht gurë e drurë ; kështu që do ta pranojnë se « jo ».

[5] Vetëm Allahu është Ai që e udhëzon të humburin dhe atë që është në rrugë të gabuar drejt të vërtetës dhe rrugës së drejtë.

[6] Sigurisht që është më e denjë të ndiqet Allahu dhe të nënshtrohesh ndaj Tij e të adhurosh vetëm Atë, dhe jo të ndiqen ata që as veten e tyre nuk mund ta udhëzojnë në rrugën e saktë dhe të drejtë.

[7] Si mund të barazoni mes Allahut dhe krijesave të Tij? Në vend që të ndiqni e adhuroni vetëm Allahun, i Cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe në të vërtetën, ju – idhujtarë – ndiqni e adhuroni sende që nuk kanë logjikë dhe që nuk mund të udhëzojnë as veten e tyre, e jo më të tjerët!

[8] Shumica e idhujtarëve që adhurojnë idhujt në vend të Allahut dhe që besojnë se ato idhuj i afrojnë tek Allahu, ndjekin vetëm hamendjen dhe supozimin, pa pasur dije dhe siguri nëse ato idhuj duhen adhuruar dhe nëse i afrojnë ata tek Allahu vërtet apo jo.

[9] Hamendja nuk ka të bëjë fare me të vërtetën dhe është krejtësisht ndryshe nga ajo, kështu që nuk mund të bëjë dobi asgjë dhe mbi të nuk mund të ndërtohet asnjë bazë apo bindje e besim, sepse këto gjëra kërkojnë dije të sigurtë dhe të vërtet.

[10] Allahu e di mirë çfarë bëjnë idhujtarët prej idhujtarië, mohimit të Allahut dhe përgënjeshtrimit të provave dhe të Dërguarit të Tij; dhe do i ndëshkojë ata për veprat e tyre ashtu si e meritojnë.

[11] Sepse askush prej krijesave nuk mundet të sjellë një të tillë si Kurani nga vetja apo me ndihmën e ndonjë krijese tjetër ; dhe as Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) nuk mundet që ta bëjë këtë gjë, sepse ai është vetëm krijesë e Allahut dhe i Dërguar i Tij, kurse Kurani është Fjalë e Allahut që nuk mund të përsëritet apo të bëhet nga ndonjë krijesë. Ajeti është përgjigje për ata që thonë se Kuranin e ka bërë Muhamedi, apo se ai është poezi apo magji, apo se Muhamedi e ka mësuar atë nga dikush prej romakëve.

[12] Nuk ka dyshim se ky Kuran është zbritur nga Allahu, Zoti i botëve, dhe Allahu e ka zbritur Kuranin si vërtetues të Librave qiellor para tij, si Teurati dhe Inxhili; dhe ai është shpjegues i ligjeve që Allahu ia ngarkoi popullit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) që para se të krijonte gjithësinë, dhe që janë të shënuara në Librin «El Leuhu el Mahfudh».

[13] Thuaju, o Muhamed, atyre idhujtarëve që thonë se Kuranin e ke trilluar ti, që nëse jeni vërtet të sinqertë në fjalën tuaj, atëherë sillni një sure të ngjashme me suret e Kuranit, meqenëse edhe ju jeni arab ashtu si dhe unë, dhe meqenëse Kurani është në gjuhën tonë, e unë nuk mundem të sjell një të ngjashëm si ai, por provoni ju ta bëni këtë gjë, dhe madje mund të thirrni për ndihmë këdo që të mundni prej miqve dhe shokëve tuaj, por kurrë nuk do të mundeni ; kështu që si thoni se Kuranin e kam fabrikuar unë?!

[14] Idhujtarët nuk të përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, por ata e përgënjeshtruan Kuranin që në fillim sa e dëgjuan atë për herë të parë, pa e njohur ende mirë atë që Allahu ta ka shpallur ty në këtë Kuran prej paralajmërimit të tyre se do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit për shkak të mohimit që ata i bëjnë Zotit të tyre; dhe atyre nuk ia ka ardhur ende përmbushja e fjalëve të Kuranit në lidhje me ndëshkimin e tyre për shkak të mohimit të tyre, ashtu si ka ndodhur me popujt e mëparshëm që ishin përgënjeshtrues dhe mohues të Allahut dhe provave të Tij.

[15] Ashtu si përgënjehtruan dhe mohuan kërcënimin e Allahut në Kuran këta idhujtarë, o Muhamed, kanë përgënjeshtruar dhe mohuar edhe popujt para tyre kërcënimin e Allahut dhe të dërguarit e Allahut tek ata; dhe përfundimi i të gjithë atyre ka qenë nxitimi i ndëshkimit me shfarosje në këtë botë, dhe me futje në zjarrin e xhehenemit në botën tjetër, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Pra, le të marrin mësim këta idhujtarë e mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, se nëse nuk kthehen nga mohimi dhe idhujtaria e tyre, do të përfundojnë si ata të mëparshmit.

[16] Disa nga populli yt kurashit, o Muhamed, do e besojnë Kuranin, kurse disa të tjerë nuk do e besojnë; dhe padyshim se Zoti yt i njeh mirë ata që do e përgënjeshtrojnë dhe që nuk do e besojnë Kuranin, dhe të cilët janë të prishur dhe prishës në Tokë, por ata nuk do i shpëtojnë Allahut dhe ndëshkimit të Tij ; kurse ata që do e besojnë atë, Allahu do i falë ata dhe do ua pranojë pendimin.

[17] Unë kam fenë time dhe veprën time, kurse ju keni fenë tuaj dhe veprat tuaja; mua nuk më dëmton vepra juaj dhe ju nuk ju dëmton vepra ime; secili nga ne do të marrë shpërblimin për veprën e vet dhe askush nga ne nuk do të dënohet për veprën e tjetrit.

[18] Disa nga idhujtarët dhe mohuesit e dëgjojnë Kuranin dhe fjalën tënde, o Muhamed, megjithëse nuk logjikojnë dhe nuk e përdorin arsyen për të kuptuar atë që dëgjojnë; por a mos je ti, o Muhamed, që e ke krijuar dëgjimin e tyre, apo Unë? Pra, ashtu si nuk mund ta bësh të dëgjojë atë që Unë ia kam marrë të dëgjuarit, o Muhamed, po kështu nuk mund ta bësh të kuptojë urdhrat dhe ndalesat e Mia atë zemër të cilës unë ia kam hequr të kuptuarit dhe arsyen, sepse udhëzimi është vetëm në Dorën Time!

-213-


  1. Ka prej atyre që të shikojnë – por, a mos je ti (Muhamed) që e drejton të verbërin – edhe pse ata nuk shohin?[1]
  2. Në të vërtetë, Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por njerëzit i bëjnë padrejtësi vetvetes.[2]
  3. Ditën kur Ai do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë qëndruar (në Tokë) veçse një orë të ditës – dhe (atje) do ta njohin njëri-tjetrin.[3] Vërtet, kanë humbur ata që e mohuan takimin me Allahun dhe nuk ishin të udhëzuar.[4]
  4. Edhe në qoftë se Ne të tregojmë diçka nga ai (dënim) që u premtojmë atyre, apo ta marrim shpirtin (para se t’i dënojmë), ata sërish te Ne do të kthehen dhe Allahu është dëshmitar për atë që bëjnë ata.[5]
  5. Çdo popull ka pasur të dërguar.[6] Dhe, kur atyre t’u vijë i dërguari i vet (Ditën e Gjykimit), do të gjykohet mes tyre me drejtësi dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.[7]
  6. Ata thonë: “Kur do të ndodh ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”[8]
  7. Thuaj: “Unë nuk kam në dorë t’i bëj vetes sime as dëm, as dobi, përveç asaj që dëshiron Allahu.[9] Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’u vijë afati i tyre, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë.”[10]
  8. Thuaj: “A keni menduar, nëse ju vjen dënimi i Tij natën apo ditën – cilin aspekt të tij përshpejtojnë keqbërësit?”[11]
  9. Po kur të ndodhë, a do ta besoni? Tani, ë? Ndërsa më parë kërkonit ardhjen e shpejtë të tij?![12]
  10. Pastaj, të padrejtëve do u thuhet: “Shijoni dënimin e përhershëm! A po shpërbleheni ndryshe, veçse me atë që keni fituar?”[13]
  11. Ata kërkojnë t’u tregosh: “A është e vërtetë kjo?”[14] Thuaj: “Po, për Zotin tim, padyshim që është e vërtetë; dhe ju nuk mund t’i shpëtoni (Allahut)!”[15]

[1] Ka prej idhujtarëve të Mekës që shohin tek ti, o Muhamed, dhe i shohin provat me të cilat të ka dërguar Allahu dhe të cilat vërtetojnë profetësinë tënde, por në realitet Allahu ua ka hequr atyre suksesin e udhëzimit në rrugën e drejtë kështu që ata në realitet nuk shohin dhe nuk udhëzohen, dhe ti nuk mund t’i bësh ata që të shohin e të udhëzohen në rrugën e drejtë, por vetëm Allahu e ka në Dorë shikimin dhe udhëzimin e tyre. Prandaj, mos u mërzit dhe mos mba barrën e humbjes së tyre, o Muhamed, sepse udhëzimi i tyre është në Dorë të Allahut, kurse detyra jote është vetëm komunikimi i shpalljes së Allahut.

[2] Allahu nuk i bën krijesave të Tij ndonjë gjë që nuk e meritojnë; nuk i ndëshkon ata përveç nëse kanë shkelur urdhrat e Tij, dhe nuk i dënon ata në Zjarr veçse për shkak të mohimit që i bëjnë Atij. Pra, janë njerëzit ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes me veprat e tyre që shkelin Ligjet e Allahut dhe tërheqin zemërin e Tij, pasi që u janë bërë të qarta të gjitha.

[3] Ditën e Ringjalljes, kur Allahu t’i tubojë idhujtarët dhe të gjithë njerëzit në vendin e llogarisë, atyre do iu duket sikur më parë të mos kenë qëndruar në dynja apo në varre veçse një orë të ditës, dhe atje do të njohin njëri-tjetrin siç e kishin njohur në dynja.

[4] Kanë humbur ata që përgënjeshtruan dhe mohuan takimin me Allahun dhe shpërblimin e dënimin në botën tjetër, dhe nuk kishin sukses në qëllimin e të vërtetës dhe të saktës në atë që bënë në dynja prej përgënjeshtrimit të takimit me Allahun, sepse kjo gjë u solli dënimin e Allahut në zjarrin e Xhehenemit ku do të jenë përgjithmonë; kjo është humbja më e madhe që ekziston.

[5] Qoftë nëse Ne të tregojmë ty gjatë jetës tënde, o Muhamed, diçka nga dënimi që i kemi premtuar dhe kërcënuar idhujtarët dhe mohuesit për shkak të mosbindjes ndaj Meje, apo të marrim shpirtin para se ta shohësh dënimin e tyre, gjithësesi ata do të kthehen tek Ne; dhe Allahu është dëshmitar për të gjitha veprat që ata i kanë bërë në dynja, kështu që do u japë atyre ndëshkimin që meritojnë në botën tjetër.

[6] Allahu i ka dërguar çdo populli që ka qenë më parë të dërguar të posaçëm nga mesi i tyre, ashtu si e dërgoi Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) për mbarë njerëzimin, deri në ditën e Kiametit; dhe çdo i dërguar e ftonte popullin e vet në fenë e Allahut dhe bindjen ndaj Tij.

[7] I dërguari i çdo populli do të jetë dëshmitar kundër tyre në ditën e Kiametit, ku do të gjykohet me drejtësi mes njerëzve, dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi, por secili do të marrë shpërblimin apo dënimin që meriton bazuar në veprat që ka bërë në dynja.

[8] Idhujtarët dhe mohuesit thonë: “Kur do të vijë ky premtim me ndëshkim nga Allahu – Kiameti – me të cilin na kërcënoni, o Muhamed, nëse na thoni të vërtetën, ti dhe ndjekësit e tu?»

[9] Thuaju, o Muhamed, atyre që të kërkojnë të nxitosh ardhjen e Kiametit që u premtohet – megjithëse nga humbja e logjikës kërkojnë të shpejtojnë dënimin e vet – se ti nuk ke në dorë asgjë as për veten tënde, qoftë e mirë apo e keqe, përveç asaj që do Allahu që të mund ta bësh apo ta arrish, me vullnetin e Allahut; përderisa është kështu, që ta di se kur do të bëhet Kiameti, është edhe më e pamundur për mua, përveç nëse Allahu më jep diçka në këtë drejtim.

[10] Përse kërkoni ta dini kur do të ndodhë Kiameti, ndërkohë që çdo popull dhe çdo njeri ka afatin e vet të vdekjes, që është edhe afati i Kiametit të tij, të cilin as nuk mund ta shtyjë e as nuk mund ta shpejtojë para kohës së vet, sepse kjo është e caktuar nga Allahu.

[11] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve dhe mohuesve të botës tjetër: A e keni menduar nëse ju vjen dënimi i Allahut natën apo ditën, dhe bëhet Kiameti, a mund ta largoni atë apo a mund të shpëtoni prej tij? Në cilin aspekt e përshpejtoni ndodhjen e Kiametit, ndërkohë që ai do të vijë me dënimin tuaj dhe futjen tuaj në zjarrin e Xhehenemit, të cilin nuk mund ta largoni nga vetja juaj dhe as nuk mund t’ju ndihmojë ndokush që të shpëtoni prej tij?!

[12] Kur ta shihni me sytë tuaj Kiametin që të ndodhë, nuk do t’ju bëjë dobi besimi apo pendimi, përderisa e kishit mohuar më parë dhe madje kishit kërkuar që të ndodhte pa vonesë! Tani shijoni dënimin e asaj që përgënjeshtruat dhe mohuat.

[13] Të padrejtëve që mohuan Allahun dhe adhuruan të tjerë përveç Tij, do i thuhet : « Shijoni dënimin e Allahut të përhershëm në zjarrin e Xhehenemit! A po dënoheni me dënim tjetër përveç atij që meritoni për shkak të veprave tuaja në dynja? A po ju bëhet ndonjë padrejtësi duke ju dënuar më shumë se ajo që meritoni?» – Ata do ta pranojnë që nuk po dënohen më shumë dhe se nuk po i bëhet aspak padrejtësi, dhe se të gjithë dënimin e meritojnë për shkak të asaj që kanë bërë në dynja.

[14] Populli yt, o Muhamed, kërkon nga ti që t’u tregosh nëse është e vërtetë ringjallja dhe dënimi në botën tjetër, me të cilin i kërcënon dhe i paralajmëron ata.

[15] Padyshim që ringjallja dhe dënimi i shpërblimi në botën tjetër është i vërtetë, betohem në Zotin tim! Dhe ju nuk mund t’i shpëtoni Allahut duke ikur apo duke u fshehur, sepse ju jeni në Dorën dhe Zotërimin e Tij; prandaj kini frikë Allahun dhe kthehuni tek Ai me pendim para se të jetë tepër vonë!

-214-


  1. Sikur çdo njeri që ka bërë padrejtësi, të zotëronte gjithçka ka në Tokë, do ta flijonte atë.[1] Ata do ta fshehin pendimin kur ta shohin dënimin;[2] dhe mes tyre do të gjykohet me të drejtën dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.[3]
  2. Padyshim, vetëm Allahut i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe Tokë.[4] Padyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë.[5]
  3. Ai jep jetë dhe vdekje dhe tek Ai do të ktheheni.[6]
  4. O njerëz, juve ju ka ardhur këshillë nga Zoti juaj, shërim për ato që janë në gjokse, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.[7]
  5. Thuaj: “Me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto të gëzohen; kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”[8]
  6. Thuaj: “Çfarë mendoni për atë që Allahu jua ka zbritur prej furnizimit, nga i cili një pjesë e bëni të ndaluar e një pjesë të lejuar?” Thuaj: “A është Allahu që ju ka dhënë leje për këtë, apo ju shpifni për Allahun?”[9]
  7. Çfarë mendojnë (se i pret) ata që shpifin gënjeshtra për Allahun, në ditën e Kiametit?[10] Me të vërtetë, Allahu është gjithë mirësi ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk falënderojnë.[11]
  8. Në çfarëdo çështje që të jesh angazhuar (o Muhamed), çfarëdo që të lexosh nga Kurani; dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju përfshiheni në të.[12] Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë pjesë e peshës së atomit, as në Tokë as në qiell; as më e vogël se ajo (grimca atomit) as më e madhe; gjithçka është e regjistruar në Libër të qartë.[13]

[1] Sikur çdo njeri që ka bërë padrejtësi duke mohuar Allahun dhe duke adhuruar të tjerë përveç Tij, të zotëronte gjithçka ka në Tokë, do ta flijonte atë për të shpëtuar nga dënimi i Allahut kur ta shohë atë në Ditën e Gjykimit.

[2] Të mëdhenjtë dhe të parët e mohuesve dhe idhujtarëve do ta fshehin pendimin kur të shohin dënimin, me qëllim që të mos e shohin pasuesit e tyre pendimin e tyre dhe t’i qortojnë e shajnë edhe më shumë, dhe të turpërohen edhe më shumë.

[3] Mes udhëheqësve të mosbesimit dhe pasuesve të tyre do të gjykohet me drejtësi, dhe askujt prej tyre nuk do i bëhet padrejtësi, por secili do të marrë dënimin e vet sipas veprave të veta që ka bërë në dynja, dhe askush nuk do të dënohet për veprat e dikujt tjetër.

[4] Padyshim se vetëm Allahut i përket çdo gjë që ekziston në qiej dhe në Tokë, kurse mohuesit nuk do të zotërojnë asgjë që të mund ta flijojnë për të shpëtuar nga dënimi i Allahut, madje edhe sikur të kishin zotëruar pasuritë e Tokës, pastaj t’i ofronte ato si flijim për të shpëtuar nga dënimi i Zjarrit, nuk do të pranoheshin prej tyre dhe nuk do të shpëtonin nga Zjarri.

[5] Dënimi i Allahut që kishte premtuar kundër mohuesve të Tij është i vërtetë dhe i padiskutueshëm, dhe ata do ta shijojnë atë, edhe pse shumica e mohuesve dhe idhujtarëve nuk e dinë të vërtetën dhe mënyrën e zbatimit të tij mbi ta, prandaj si rezultat i injoracnës së tyre e përgënjeshtrojnë atë.

[6] Allahu është Ai që jep jetën dhe që e merr atë, dhe Ai nuk ka asnjë vështirësi në ringjalljen e njerëzve pas vdekjes së tyre, ashtu si nuk ka vështirësi për marrjen e jetëve të tyre kur të dojë, dhe të gjithë njerëzit dhe krijesat do të kthehen tek Ai pas vdekjes së tyre, dhe atje do të gjejnë atë që kanë punuar në dynja dhe do të marrin shpërblimin që u takon.

[7] O njerëz, juve ju ka ardhur Libri i Allahut, Kurani i Shenjtë, i cili është: këshillë nga Zoti juaj për ju, që ju kujton Allahun dhe ndëshkimin e Tij në botën tjetër, si dhe shpërblimin e Tij për ata që i binden Allahut dhe veprojnë mirë; shërim dhe ilaç për atë që gjendet në zemra prej injorancës; udhëzim për njerëzit dhe sqarues i hallallit dhe haramit; dhe mëshirë për besimtarët, me të cilën Ai i udhëzon ata nga humbja në rrugën e drejtë dhe i shpëton nga shkatërrimi dhe dënimi.  Kurani është mëshirë vetëm për besimtarët e jo për mohuesit, sepse për ata do të jetë verbërim dhe dënim në botën tjetër, për shkak se ata e mohojnë dhe përgënjeshtrojnë atë.

[8] Thuaju atyre që të përgënjeshtrojnë ty dhe atë që të ka zbritur nga Zoti yt, o Muhamed: «O njerëz, vetëm me mirësinë që ju ka dhënë Allahu – që është Islami; dhe me mëshirën e Tij që ka zbritur mbi ju – që është Kurani; vetëm me këto gëzohuni dhe lumturohuni pa asnjë pendesë, sepse këto janë më të mira se ajo që grumbulloni prej plaçkës së kësaj bote të përkohshme dhe që nuk e gëzon askush.

[9] Thuaj, o Muhamed, atyre që e mohojnë shpalljen Time: “Më tregoni për furnizimin që Allahu e ka krijuar për ju, me të cilin ju ushqeheni e jetoni, dhe të cilin e keni bërë një pjesë të ndaluar dhe një pjesë të lejuar, nga vetja juaj; Mos ju ka lejuar Allahu ta bëni këtë gjë, apo ju shpifni gënjeshtër për Allahun? Sigurisht që ata shpifin gënjeshtër për Allahun dhe janë gënjeshtarë.

[10] Çfarë mendojnë ata që shpifin gënjeshtra për Allahun: si do të veprojë Allahu me ta në Ditën e Kiametit, për shkak të përgënjeshtrimit, mohimit dhe shpifjes së tyre ndaj Tij? Mos vallë mendojnë se do i falë dhe do i lërë të lirë? Assesi, por përkundrazi, do i fusë ata në zjarrin e ndezur të Xhehenemit ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si ndëshkim për veprat e tyre në dynja, dhe për të çuar drejtësinë në vend.

[11] Allahu është gjithë mirësi e bujari ndaj njerëzve; i furnizon, e jep nga të begatitë e Tij dhe i afatizon gjithashtu, duke mos ua shpejtuar dënimin për veprat e tyre të këqia dhe mohimin apo shpifjen ndaj Tij në këtë botë, por duke ia styrë dënimin në botën tjetër; por megjithatë, shumica e njerëzve janë mosmirënjohës dhe nuk e falënderojnë Allahun për të mirat që Ai u jep.

[12] Në çfarëdo çështje nga çështjet e tua të jesh i angazhuar, o Muhamed, apo kur lexon nga Kurani, dhe po ashtu çfarëdo pune që të bëjnë njerëzit – të mirë apo të keqe, dijeni se Ne e shohim dhe jemi dëshmitarë kur ju përfshiheni në të, dhe e regjistrojmë atë për ju, që t’ju shpërblejmë me të.

[13] Allahu di në hollësi dhe detaje gjithçka që ekziston, nga pjesët më të vogla përbërëse të atomit, apo më të vogël akoma, deri te krijesat më të mëdha dhe gjigande që ka krijuar Allahu, dhe asgjë nuk i shpëton apo fshihet nga dija e Tij, sepse gjithçka është krijimi i Tij, dhe gjithçka është regjistruar në Libër të qartë që ndodhet tek Ai, dhe që është “El Leuhul el Mahfudh”. Prandaj, o njerëz, veproni vepra që e kënaqin Zotin tuaj, sepse Ai ju sheh dhe regjistron gjithçka veproni, pastaj do ju shpërblejë për atë që keni vepruar.

-215-


  1. Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë frikë dhe nuk do të pikëllohen.[1]
  2. Janë ata që besuan dhe ruheshin.[2]
  3. Atyre u takon përgëzimi në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër.[3] S’ka ndryshim në fjalët e Allahut;[4] kjo është ajo fitorja e madhe.[5]
  4. Mos të të brengosë fjala e tyre![6] E gjithë fuqia i përket Allahut![7] Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[8]
  5. Pa dyshim, Allahut i përket çdokush që gjendet në qiej dhe çdokush që gjendet në Tokë.[9] E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut idhuj? Ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm supozojnë gënjeshtër.[10]
  6. Është Ai që jua bëri natën për të pushuar në të, kurse ditën për të parë.[11] Vërtet, këtu ka prova për njerëzit që dëgjojnë.[12]
  7. Ata thanë: “Allahu ka fëmijë!”[13] I Lartësuar është Ai![14] Ai është i Pasuri, që s’ka nevojë për asgjë. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.[15] Ju nuk keni asnjë provë për këtë (pretendim).[16] A thoni për Allahun diçka që nuk e dini?![17]
  8. Thuaj: “Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra për Allahun, nuk do të shpëtojnë;[18]
  9. Pak kënaqësi në këtë botë; pastaj kthimi i tyre është tek Ne; pastaj Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënimin e ashpër për shkak të mohimit që bënin.”[19]

[1] Miqtë e Allahut dhe të dashurit e Tij nuk do të kenë frikë në botën tjetër nga dënimi i Allahut, sepse Allahu është i kënaqur me ta dhe do t’i sigurojë ata nga dënimi i Tij; dhe as nuk do të pikëllohen e mërziten për atë që nuk e arritën prej stolive të dynjasë.

[2] Miqtë e Allahut janë ata të cilët besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, përfshirë gjithçka që Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij, dhe të cilët i ruheshin Allahut në dynja duke kryer urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[3] Përgëzimi në jetën e kësaj bote është ëndërra e vërtetë që sheh vetë besimtari apo që e sheh një besimtar tjetër për të; dhe këtu përfshihet edhe përgëzimi i engjëjve për besimtarin kur i del shpirti me mëshirën e Allahut, si dhe përgëzimi i Allahut për ta në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) për shpërblimin e madh që ata kanë; kurse përgëzimi në botën tjetër është Xheneti.

[4] Allahu nuk e thyen premtimin e Vet dhe nuk e ndryshon Fjalën e Vet, por i përmbush ato në mënyrën më të plotë.

[5] Kjo është ajo fitorja dhe arritja më e madhe me fitimin e Xhenetit dhe shpëtimin nga Zjarri.

[6] Mo të të brengosë, o Muhamed, fjala e udhujtarëve dhe mohuesve që thonë për Allahun apo kundër teje duke të përgënjeshtruar.

[7] E gjithë fuqia i përket vetëm Allahut – kurse idhujtarët dhe idhujt e tyre nuk kanë asnjë fuqi – dhe Allahu mund të hakmerret ndaj idhujtarëve e mohuesve në çdo kohë, dhe askush nuk mund t’i ndihmojë e shpëtojë ata prej Tij; por Ai i lë ata deri në afatin e tyre.

[8] Allahu i dëgjon fjalët e idhujtarëve dhe gënjeshtrat e shpifjet e tyre, dhe di gjithçka shfaqin apo fshehin ata, dhe Atij nuk i shpëton asgjë prej tyre, por i regjistron të gjitha dhe i ka nën vëzhgim, deri sa t’iu vijë afati dhe të marrin atë që meritojnë.

[9] Çdokush që gjendet në qiej apo në Tokë është pronë e Allahut, qofshin mbretër apo robër, dhe çdo lloj krijese; Kështu që si mund të jenë zota që adhurohen ato që adhyrojnë idhujtarët prej idhujve të tyre, ndërkohë që ato idhuj janë krijesë dhe pronë e Allahut; A nuk duhet që adhurimi t’i bëhet Zotëruesit dhe jo pronës së Tij; Krijuesit dhe jo krijesës së Tij?!

[10] Ata që thonë se Allahu ka shok, të cilët ata i adhurojnë në vend të Allahut, nuk ndjekin veçse hamendjen dhe dyshimin në këtë pretendim të tyre, dhe jo diçka të vërtetë e të sigurtë, dhe ata shpifin e trillojnë gënjeshtra me supozime të kota e të pavërteta, pa pasur asnjë lloj dije për atë që thonë e veprojnë.

[11] Allahu është Ai që e ka bërë natën për të pushuar nga lodhja e ditës, kurse ditën e bëri për të parë e për të punuar; këto i ka bërë Allahu dhe askush tjetër, kështu që vetëm Atë adhuroni dhe jo idhujt që nuk kanë krijuar asgjë dhe që vetë janë të krijuar, dhe që nuk mund t’ju sjellin as dëm as dobi.

[12] Në këto që përmenden ka prova dhe mrekulli të qarta për njerëzit që i dëgjojnë ato me vëmendje dhe zemër të hapur, dhe që meditojnë e marrin mësim prej tyre.

[13] Idhujtarët nga populli i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) thanë se Allahu ka fëmijë, duke pasur për qëllim engjëjt, për të cilët ata thanë se janë bijat e Allahut.

[14] I Pastër është Allahu nga ajo që i veshin idhujtarët.

[15] Allahu nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat e Tij, dhe Ai nuk i ka krijuar ato nga nevoja për to, por krijesat kanë nevojë për fëmijë e ndihmës, dhe kanë nevojë për Allahun, Krijuesin e tyre. Gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë, përfshirë engjëjt, që të gjitha janë krijesë dhe pronë e Allahut, kështu që si mundet që prona e Allahut dhe krijesat e Tij prej engjëjve apo njerëzve të jenë fëmijë të Tij?! A nuk logjikoni?

[16] Ju nuk keni asnjë provë dhe argument për fjalën që thoni se Allahu ka fëmijë, dhe se engjëjt janë bijat e Allahut.

[17] Përse thoni për Allahun diçka për të cilën nuk keni asnjë lloj dije dhe asnjë lloj prove?! A nuk e keni frikë dënimin e Allahut për shkak të shpifjes ndaj Tij?!

[18] Ata që i veshin Allahut fëmijë dhe që shpifin gënjeshtër për Allahun, nuk do të shpëtojnë duke qëndruar përjetësisht në këtë botë, por do të kënaqen për pak kohë, pastaj do të vdesin dhe do të kthehen tek Allahu ku do të marrin dënimin që meritojnë në zjarrin e Xhehenemit.

[19] Ata që shpifin gënjeshtër ndaj Allahut do të kënaqen vetëm për pak kohë në këtë botë, pastaj do të vdesin dhe do të kthehen tek Allahu, i Cili do i bëjë të shijojnë dënimin e ashpër dhe të rëndë në zjarrin e Xhehenemit, për shkak se ata mohonin Allahun në dynja dhe përgënjeshtronin të dërguarit dhe provat e Allahut.

-216-


  1. Tregoju atyre ngjarjen e Nuhut, kur ai i tha popullit të vet: “O populli im, nëse ju rëndon qëndrimi im mes jush dhe përkujtimi im i provave të Allahut – atëherë unë jam mbështetur vetëm tek Allahu![1] Prandaj, merrni një vendim bashkë me idhujt tuaj, por vendimi juaj të mos jetë e fshehtë, pastaj zbatojeni atë kundër meje dhe mos më jepni afat![2]
  2. Por, nëse ktheni shpinën – unë nuk ju kam kërkuar ndonjë shpërblim. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu.[3] Unë jam urdhëruar të jem prej muslimanëve (të nënshtruarve ndaj Allahut).”[4]
  3. Dhe ata e përgënjeshtruan, kështu që Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë besimtarët që ishin me të në anije, dhe i bëmë ata zëvendës (në Tokë), kurse ata që përgënjeshtruan provat Tona i fundosëm.[5] Shiko se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar.[6]
  4. Pastaj, pas tij dërguam të dërguar te popujt e tyre, të cilët u erdhën atyre me prova të qarta, por ata nuk do të besonin diçka që e kishin përgënjeshtruar më parë.[7] Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që kalojnë kufirin.[8]
  5. Pastaj, pas tyre (të dërguarve) dërguam Musain dhe Harunin me provat Tona te Faraoni dhe paria e popullit të tij, por ata u sollën me mendjemadhësi dhe ishin popull keqbërës.[9]
  6. Kur u erdhi e Vërteta nga Ne, ata thanë: “Me të vërtetë, kjo është magji e qartë!”[10]
  7. Musai tha: “A thoni për të Vërtetën, pasi ju erdhi: “Magji është kjo?” – ndërkohë që magjistarët nuk shpëtojnë!”[11]
  8. Ata thanë: “A ke ardhur për të na devijuar nga ajo (fe), në të cilën i kemi gjetur etërit tanë, dhe që ju të dy të keni madhështinë në Tokë? E po, ne nuk ju besojmë ju të dyve!”[12]

[1] Tregoju këtyre idhujtarëve dhe të gjithë njerëze, o Muhamed, historinë e Nuhut (alejhis selam), kur ai i tha popullit të vet idhujtar: “Nëse ju rëndon qëndrimi im mes jush, dhe përkujtimi që unë ju bëj për provat e Allahut dhe tërheqja e vërejtjes në mënyrë që të merrni mësim dhe të ktheheni tek Allahu; dhe nëse për shkak të këtij rëndimi dhe mospëlqimi të qëndrimit tim në mesin tuaj ju vendosni të më vrisni apo të më dëboni, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur Allahut dhe Ai është Ndihmësi im.

[2] Merrni një vendim për atë që doni të bëni me mua, dhe kërkoni ndihmën e idhujve tuaj për të marrë vendimin tuaj, por që të jetë një vendim i qartë dhe i hapur, e jo ta fshihni nga unë, pastaj zbatojeni atë dënim mbi mua pa më dhënë afat asnjë çast, por zbatojeni vendimin tuaj kundër meje menjëherë; sepse unë gjithësesi nuk jua kam frikën juve apo idhujve tuaj, sepse i jam mbështetur Allahut plotësisht dhe besimi im tek Ai është i plotë; kështu që ju nuk mund të më dëmtoni mua asgjë, pa lejen e Allahut.

[3] Nëse më ktheni shpinën pas ftesës që ju bëra, dhe pas këshillimit dhe komunikimit të shpalljes së Allahut, kjo është humbje që ju i bëni vetes dhe lënie e detyrimit që keni ndaj Zotit tuaj, dhe nuk është për shkakun tim, sepse unë nuk ju kam kërkuar ndonjë lloj shpërblimi për komunikimin e shpalljes së Allahut dhe këshillimin që ju bëra; por unë e pres shpërblimin tim nga Allahu dhe tek Allahu.

[4] Zoti im më ka urdhëruar që të jem nga muslimanët, të cilët i nënshtrohen Atij me bindje dhe përulje, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, prandaj unë ju ftoj në fenë e pastër të Allahut dhe ju urdhëroj të lini adhurimin e idhujve, sepse kështu më ka urdhëruar Allahu.

[5] Populli i Nuhut e përgënjeshtroi Nuhun (alejhis selam) dhe gjithka ai i komunikoi atyre nga shpallja e Allahut, atëherë Allahu e shpëtoi Nuhun dhe ata që ai mori në anije, dhe i bëri ata zëvendës dhe trashëgimtarë të popullit të tyre që i përgënjeshtruan provat e Allahut, të cilin Allahu e shkatërroi me përmbytje.

[6] Shiko, o Muhamed, se si ishte përfundimi i atyre që Nuhu i paralajmëroi për dënimin e Allahut për shkak të përgënjeshtrimit të tij dhe adhurimit të idhujve; po kështu do të jetë edhe përfundimi i atyre që të përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, nëse ata do të këmbëngulin në mohim dhe në mosbindje ndaj Zotit të tyre; pra, pendohuni o njerëz dhe kthehuni te Zoti juaj para se të jetë tepër vonë.

[7] Pas Nuhut (alejhis selam), Allahu dërgoi të dërguar në çdo popull, të cilët u sollën prova të qarta nga Allahu popujve të tyre, por ata i pritën me mohim dhe përgënjeshtrim të dërguarit e Allahut, kështu që nuk do të besonin atë që e kishin mohuar për herë të parë, apo të cilën e kishin mohuar parardhësit e tyre prej popullit të Nuhut, apo popujt e tjerë para tyre.

[8] Ashtu si ua vulosëm zemrat atyre të parëve që nuk pranonin asgjë nga të dërguarit e Allahut tek ata, pavarësisht provave të qarta e të mëdha që ata u sillnin, po kështu ua vulosim zemrat kujtdo që i kalon kufijtë e Allahut duke i shoqëruar Atij ortakë në adhurim, dhe që kundështon thirrjen e të dërguarve të Allahut, si ndëshkim për ta.

[9] Pas të dërguarve që Allahu i dërgoi pas Nuhut (alejhimu selam), Allahu dërgoi Musain dhe Harunin, bijtë e Imranit, te Faraoni i Egjiptit dhe paria e popullit të tij, me provat dhe mrekullitë e Tij të qarta që vërtetonin profetësinë e tyre dhe detyrimin e bindjes ndaj Allahut dhe adhurimin vetëm të Atij; por ata u sollën me mendjemadhësi ndaj pranimit të ftesës së Musait dhe Harunit, dhe ishin njerëz mëkatarë e keqbërës për shkak të mohimit të Zotit të tyre.

[10] Kur Faraonit dhe popullit të tij i erdhi e vërteta me prova të qarta në duart e Musait dhe të Harunit, ata thanë se kjo është magji e qartë dhe e dukshme për këdo që e sheh, dhe nuk është e vërtetë.

[11] Musai i tha Faraonit dhe popullit të tij: “A i thoni të vërtetës që ju ka ardhur nga Allahu: “A është magji kjo?” – ndërkohë që dihet se magjistarët nuk kanë kurrë sukses, nuk fitojnë dhe nuk shpëtojnë kurrë.

[12] Faraoni dhe paria e tij i thanë Musait: “A ke ardhur për të na larguar nga feja e të parëve tanë, dhe që ju të dy (Musai dhe Haruni) të keni pushtetin dhe madhështinë mbi tokën e Egjiptit? E po, ne nuk ju besojmë ju të dyve, dhe nuk e pranojmë që ju jeni të dërguar tek ne nga Zoti.

-217-


  1. Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e ditur!”[1]
  2. Kur magjistarët erdhën, Musai u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur!”[2]
  3. Kur ata i hodhën, Musai tha: “Kjo që keni sjellë është magji! Padyshim, Allahu do ta asgjësojë atë. Vërtet, Allahu nuk e ndreq veprën e prishësve.[3]
  4. Allahu do ta vërtetojë të vërtetën me fjalët e Tij, edhe nëse keqbërësit e urrejnë këtë!”[4]
  5. Por Musait nuk i besoi askush, përveç disa pasardhësve nga populli i tij, për shkak të frikës nga Faraoni dhe paria e tij, se mos i torturonte. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe ishte nga ata që e teprojnë.[5]
  6. Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni muslimanë!”[6]
  7. Ata thanë: “Tek Allahu mbështetemi. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për njerëzit e padrejtë;[7]
  8. dhe na shpëto me mëshirën Tënde, nga populli mohues!”[8]
  9. Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, bëjeni drejtimin e shtëpive nga Kibla dhe falni namazin! Dhe, përgëzoji besimtarët!”[9]
  10. Musai tha: “Zoti ynë! Vërtet, Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, Zoti ynë, që ata t’i largojnë njerëzit nga rruga Jote! Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, në mënyrë që të mos besojnë, derisa të shohin dënimin e dhembshëm!”[10]

[1] Më sillni të gjithë magjistarët që njihen si më të ditur dhe më të fortë në magji.

[2] Kur magjistarët erdhën te Faraoni dhe u grumbulluan të gjithë bashkë me Musain para popullit, Musai (alejhis selam) u tha atyre të fillonin të parët me magjinë e tyre, duke hedhur shkopinjtë dhe litarët e tyre në tokë.

[3] Kur magjistarët hodhën shkopinjtë dhe litarët e tyre, ato u shndërruam në gjarprinj, kurse Musai (alejhis selam) u tha atyre se kjo ishte thjesht magji e pavlerë dhe e paqëndrueshme, dhe se Allahu do ta asgjësonte atë, sepse Allahu nuk e ndreq dhe nuk e bën të qëndrueshme veprën e magjistarëve që prishin në Tokë duke vepruar vepra që Allahu i urren dhe që janë në kundërshtim me urdhrat e Tij.

[4] Allahu do ta vërtetojë dhe forcojë të vërtetën me të cilën ka dërguar Musain dhe Harunin, dhe do ta ngrejë atë mbi të pavërtetën dhe magjinë e magjistarëve, me fjalët dhe urdhrin e Tij, edhe nëse keqbërësit mohues e mëkatarë nga populli i Faraonit e urrejnë këtë gjë.

[5] Megjithëse solli prova të qarta dhe mrekulli të mëdha nga Allahu, Musait nuk i besoi veçse një grup të rinjsh, nga pasardhësit e bijve të Izraelit; atyre të cilët vdiqën para se ta pranonin profetësinë e Musait, nga frika e Faraonit dhe parisë së tij, se mos i sprovonin dhe i torturonin që të linin fenë e tyre dhe të mohonin Allahun; sepse Faraoni ishte vërtet shumë tiran dhe zullumqar, dhe i tejkalonte kufijtë në mohimin e Allahut dhe në konsiderimin e vetes si zot i njerëzve që duhet ta adhuronin, si dhe në derdhjen e gjakut të njerëzve padrejtësisht.

[6] Musai i tha popullit të tij: “Nëse e besoni Allahun dhe e pranoni se Ai është Krijuesi dhe Zoti juaj i Vetëm, atëherë mbështetjuni Atij dhe kini besim tek Ai, se Ai nuk e braktis dhe nuk e dorëzon atë që i mbështetet Atij; nëse jeni vërtet muslimanë që i jeni nënshtruar Allahut me bindje.”

[7] Populli i Musait tha: “Allahut i mbështetemi dhe i besojmë, dhe Atij ia lëmë në dorë çështjen tonë.” Pastaj u lutën: “Zoti ynë! Mos na bëj sprovë për Faraonin dhe popullin e tij; d.m.th. mos lejo që Faraoni dhe populli i tij të triumfojnë mbi ne, dhe fitorja e tyre të jetë shkak që ata të na sprovojnë në fenë tonë duke na detyruar të lëmë fenë; ose të sprovosh ata me ne, dhe të thonë se nëse ne do të ishim në rrugën e vërtetë, nuk do të na kishin mundur!”

[8] Na shpëto me mëshirën Tënde, nga duart dhe pushteti i Faraonit dhe popullit të tij, të cilët i kishin skllavëruar dhe i përdornin për punë të rënda dhe të ulëta bijtë e Izraelit, popullin e Musait (alejhis selam).

[9] Faraoni i kishte ndaluar bijtë e Izraelit të kryenin namazin, kështu që Allahu e urdhëroi Musain dhe Harunin që të ndërtonin shtëpi në Egjipt, me drejtim nga Kibla, me qëllim që t’i kishin vend për të banuar dhe për të kryer namazin gjithashtu. Pastaj Allahu i thotë të dërguarit të tij, Musait ose Muhamedit, që t’i përgëzojnë besimtarët, të cilët besojnë Allahun, durojnë padrejtësitë që iu bëhen nga pushtetarët tiranë dhe diktatorë si Faraoni, dhe kryejnë namazin në çdo gjendje frike (fshehurazi) apo sigurie që të jenë, se ata kanë shpërblim të madh në këtë botë dhe xhenetin në botën tjetër.

[10] Musai (alejhis selam) u lut: “O Zot, ti i ke dhënë pasuri të mëdha dhe stoli të kësaj bote Faraonit dhe parisë nga populli i tij, me qëllim që ata të largojnë njerëzit nga rruga dhe feja Jote, si sprovë për ta, në vend që të falënderonin dhe të adhuronin vetëm Ty; kështu që shkatërroi pasuritë e tyre dhe përmbysi ato, dhe vulosi zemrat e tyre që të mos hapen për të pranuar besimin, deri sa të shohin dënimin e dhembshëm nga Ti!” Dhe Allahu e pranoi lutjen e Musait.

-218-


  1. Ai (Allahu) tha: “Lutja e ju të dyve u pranua, prandaj qëndroni në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!”[1]
  2. Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata mizorisht dhe armiqësisht; deri sa ai (Faraoni) ishte duke u mbytur, thirri: “Unë besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam nga muslimanët (të nënshtruarit para Zotit).”[2]
  3. “Tani ë? – Ndërkohë që gjithë kohës kundërshtoje dhe ishe nga prishësit![3]
  4. Sot do të shpëtojmë trupin tënd, që të bëhesh provë për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumë prej njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj provave Tona.[4]
  5. Ne i vendosëm bijtë e Izraelit në vend të zgjedhur dhe i furnizuam ata prej të mirave[5]. Ata nuk u kundërshtuan mes njëri-tjetrit, deri sa u erdhi dituria.[6] Me të vërtetë, Zoti yt do të gjykojë mes tyre në Ditën e Kiametit në lidhje me atë që kundështoheshin.[7]
  6. Nëse ti (Muhamed) ke dyshim për atë që të kemi zbritur ty, atëherë pyeti ata që e kanë lexuar Librin para teje.[8] Pa dyshim, ty të ka ardhur e Vërteta nga Zoti yt, prandaj mos u bëj kurrë nga ata që dyshojnë.[9]
  7. Dhe mos u bëj kurrë nga ata që i përgënjeshtrojnë provat Tona, përndryshe do të ishe nga të humburit.[10]
  8. Vërtet, ata mbi të cilët miratohet Fjala e Zotit tënd, nuk do të besojnë,
  9. edhe sikur t’u vijnë të gjitha provat, derisa të shohin dënimin e dhembshëm.[11]

[1] Allahu e pranoi lutjen e Musait dhe të Harunit kundër Faraonit dhe parisë së tij, kështu që pasuritë e tyre prej ari e argjendi u ngurtësuan (u shndërruan në gurë), dhe Faraoni nuk besoi deri sa pa vdekjen duke u mbytur në det; Ndërsa Musain dhe Harunin Allahu i urdhëroi që të ishin të qëndrueshëm në thirrjen e tyre deri sa Faraonit dhe popullit të tij t’i vinte dënimi i Allahut, dhe të mos ndiqnin rrugën e njerëzve që nuk e dinë si funksionin kërcënimi dhe premtimi i Allahut, duke përshpejtuar ardhjen e dënimit të Faraonit, gjë e cila thuhet se ndodhi pas 40 vjetësh, e Allahu është Gjykuesi më i Urtë.

[2] Pasi Faraoni e lejoi Musain të merrte me vete popullin e tij dhe të largohej nga Egjipti, ndërroi përsëri mendje, si gjithnjë, dhe i ndoqi ata me ushtrinë e tij me qëllim të masakrimit dhe shtypjes, ku shkoi edhe vet personalisht. Atëherë Allahu e çau detin për Musain dhe popullin e tij, dhe i kaloi ata nga ana tjetër e detit, kurse Faraoni që i ndiqte pas me ushtrinë e tij, u futën pas tyre në rrugën e çarë në det, por pastaj ajo rrugë u mbyll nga uji i detin dhe ata u mbytën që të gjithë, por në çastin e mbytjes dhe kur e pa që nuk kishte shpëtim, Faraoni filloi të thoshte se besonte Zotin që besonin bijtë e Izraelit, dhe se ishte një nga muslimanët e nënshtruar para Zotit, si bijtë e Izraelit.

[3] I thuhet Faraonit: “Tani beson dhe nënshtrohesh para Allahut, që e pe vdekjen me sy dhe kur nuk të bën më dobi besimi dhe pendimi, sepse me ardhjen e vdekjes, mbyllet dera e pendimit dhe e besimit, përderisa më parë nuk ke besuar, madje gjithë kohës kundërshtoje Allahun dhe të Dërguarit e Tij, si dhe bëje prishe të mëdha në Tokë, duke i ndaluar njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga adhurimi i Allahut?! Pra, tani që e sheh vdekjen dhe dënimin tënd, nuk të bën më dobi pendimi e besimi.”

[4] Sot – ditën që u mbyt Faraoni – do të shpëtojmë trupin tënd (kufomën) nga fundosja dhe humbja, duke e nxjerrë atë nga deti në një vend të dukshëm, në mënyrë që ta shohin ata që dyshonin në vdekjen e Faraonit dhe mendonin se ai është zot dhe nuk mund të vdesë; dhe do ta ruajmë gjithashtu kufomën tënde që të jetë provë nga Allahu për njerëzit që do të vijnë më pas, dhe të cilët do ta zbulojnë kufomën tënde, do të njohin që je ti, Faraoni i mbytur i Egjiptit, dhe do të vërtetojnë ngjarjen e mbytjes tënde dhe të shpëtimit të Musait dhe popullit të tij, si dhe fuqinë e Allahut dhe mrekullitë e Tij, si me ruajtjen e kufomës së Faraonit për mijëra vjet, ashtu edhe vetë ngjarjen e çarjes së detit dhe kalimin e bijve të Izraelit mes tij për të dalë në anën tjetër të bregut. Por, me të vërtetë, shumë nga njerëzit, madje shumica e tyre, janë të pavëmendshëm ndaj provave të Allahut dhe nuk marrin mësim prej tyre.

[5] Ne i vendosëm bijtë e Izraelit në vend të zgjedhur dhe të bekuar prej tokave të Levantit dhe Egjiptit, dhe i furnizuam ata me furnizime të mira e të lejuara nga begatia e tokës së bekuar.

[6] Bijtë e Izraelit nuk u kundërshtuan me njëri-tjetrin dhe nuk u ndanë në grupe në lidhje me fenë e tyre, veçse pasi u erdhi diçka që ata e dinin që më parë, sepse e kishin të shënuar në Teurat dhe në Inxhil, dhe është fjala për ardhjen e të Dërguarit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), për të cilin ata ishin të bindur që të gjithë dhe prisnin ardhjen e tij, por megjithatë, kur ai erdhi dhe ata e njohën atë nga përshkrimi që i ishte bërë në librat e tyre, ata u ndanë në dy grupe: njëri grup e mohoi, kurse grupi i dytë që ishte shumë i vogël në numër, e besoi.

[7] Zoti yt, o Muhamed, do të gjykojë mes tyre në ditën e Llogarisë për atë që kundërshtoheshin me njëri-tjetrin në lidhje me profetësinë tënde; dhe kështu, ata që të përgënjeshtruan ty do i fusë në Zjarr, kurse ata që të besuan do i fusë në Xhenet.

[8] Nëse ke dyshim në vërtetësinë e kësaj që të shpallim ty, o Muhamed, atëherë pyeti ata që i kanë lexuar Librat e Shenjtë – Teuratin dhe Inxhilin – para se të vish ti, si çfarë thuhet për ty në ato libra. Kur zbriti ky ajet, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “As nuk dyshoj, as nuk i pyes!” Por kjo fjalë ka për qëllim ata që kanë ndonjë lloj dyshimi në lidhje me profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe u thotë atyre që të sigurohen, nëse duan, duke pyetur hebrenjtë dhe të krishterët e sinqertë, se çfarë thuhet në Librat e tyre për Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).

[9] Ty, o Muhamed, të ka ardhur e vërteta e sigurtë dhe e patjetërsueshme, nga Zoti yt, dhe këta hebrenj e të krishterë e dinë shumë mirë këtë të vërtetë, sepse e kanë të shënuar në Librat e tyre, edhe pse e mohojnë atë me vetëdije, nga zilia dhe kryeneçësia nga Zotit të tyre, prandaj mos u bëj kurrsesi nga ata që dyshojnë në të vërtetën që të është shpallur ty, sepse ajo është vërtet nga Allahu. Padyshim se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk dyshonte asnjë fije në këtë të vërtetë, por ky ajet është argument se ky Kuran nuk mund të jetë shkruar nga Muhamedi, por nga Zoti i Muhamedit dhe i gjithësisë.

[10] Dhe mos u bëj, o i Dërguar, nga ata që i përgënjeshtrojnë provat e Allahut dhe argumentet e Tij, përndryshe do të jesh nga të humburit që kanë tërhequr zemërimin e Allahut dhe do të marrin dënimin e Tij.

[11] Ata mbi të cilët miratohet Fjala e Zotit tënd, o Muhamed, që thotë se: “Mallkimi i Allahut është mbi të padrejtët!”, pra, ata që e meritojnë mallkimin dhe dënimin e Allahut, nuk do të besojnë kurrë, edhe sikur t’u sjellësh të gjitha provat, deri sa të shohin dhe të shijojnë dënimin e dhembshëm të Allahut dhe vdekjen, si Faraoni, por atëherë nuk do iu bëjë më asnjë dobi besimi apo pendimi, sepse atëherë do ta shohin të vërtetën me sytë e tyre, dhe nuk ka më vend për besim – i cili i referohet diçkaje që nuk e ke parë, por që e beson.

-219-


  1. Nuk ka patur kurrë ndonjë qytet, që të besonte (pasi e pa dënimin) e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit; kur ata besuan, Ne ua hoqëm dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin deri në një afat të caktuar.[1]
  2. Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë, pa përjashtim. A mos do t’i detyrosh ti njerëzit të bëhen besimtarë?![2]
  3. Asnjë shpirt nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut.[3] Ai e zbret zemërimin mbi ata që nuk logjikojnë.[4]
  4. Thuaj (o Muhamed): “Shikoni çfarë ka në qiej dhe në Tokë!”[5] Por as provat as paralajmëruesit nuk u bëjnë dobi njerëzve që nuk besojnë.[6]
  5. A mos presin ata gjë tjetër, përveç një dite të ngjashme me ditët e atyre që kanë kaluar para tyre?[7] Thuaj: “Pritni pra, se edhe unë po pres bashkë me ju!”[8]
  6. Pastaj, Ne i shpëtojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan. Kështu, është detyra Jonë që t’i shpëtojmë besimtarët.[9]
  7. Thuaj: “O njerëz! Nëse keni dyshim në fenë time – unë nuk i adhuroj ato që ju i adhuroni në vend të Allahut, por adhuroj vetëm Allahun, i Cili ju merr shpirtrat, dhe jam urdhëruar të jem nga besimtarët;[10]
  8. Dhe (jam urdhëruar): ‘Drejtoje fytyrën tënde nga feja në mënyrë të drejtë, dhe kurrsesi mos u bëj nga idhujtarët;[11]
  9. Dhe, përveç Allahut, mos lut diçka që nuk të sjell as dobi, as dëm. Nëse do ta bëje këtë, atëherë me të vërtetë, do të ishe nga të padrejtët.”[12]

[1] Asnjë populli nuk i ka bërë dobi besimi në kohën kur e kanë parë dënimin me sytë e tyre të bierë mbi ta, pëveç banorëve të qytetit të profetit Junus (alejhis selam), të cilët kur u bindën se do u zbriste dënimi i Allahut për shkak të përgënjeshtrimit që i bënë të dërguarit të Allahut tek ata, Junusit (Paqja e Allahut qoftë mbi të), kur ky u largua nga ata dhe iku me anije në det, atëherë ata u penduan sinqerisht para se të fillonte zbritja e dënimit, kështu që Allahu e ngriti dënimin poshtërues në këtë botë prej tyre, pasi që ai dënim ishte shumë pranë tyre, dhe i la të kënaqen në këtë botë deri në afatin e caktuar të vdekjes së tyre.

[2] Sikur të kishte dashur Zoti yt, o Muhamed, të gjithë banorët e Tokës do të besonin Allahun dhe atë që të shpallet ty prej Tij, pa përjashtim, por Allahu vepron me Urtësinë e Tij absolute, dhe udhëzon kë të dojë, e lë në humbje kë të dojë, sipas Urtësisë së Tij; dhe nuk është brenda mundësive të tua, madje as nuk të takon, që t’i imponosh njerëzve besimin, por detyra jote është vetëm të komunikosh atë që të shpallet nga Allahu.

[3] Asnjë shpirt që ka krijuar Allahu nuk mund të besojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, veçse me lejen e Allahut, prandaj mos e shtrëngo veten tënde, o Muhamed, në përpjekje për udhëzimin e tyre, por vetëm komunikoi premtimin dhe kërcënimin e Allahut, dhe tregoi atyre ato që të ka urdhëruar Allahu t’ua tregosh, pastaj lëri ata, sepse udhëzimi i tyre është në dorë të Allahut.

[4] Allahu e zbret zemërimin dhe dënimin e Tij mbi ata që nuk logjikojnë dhe nuk arsyetojnë rreth provave të Allahut, këshillave e mësimeve të Tij, si dhe rreth argumenteve të Tij që provojnë vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe të asaj që i shpallet atij prej Kuranit dhe Njësimit të Allahut.

[5] Thuaju idhujtarëve dhe mohuesve, të cilët kërkojnë prova që vërtetojnë thirrjen tënde, o Muhamed, prej Njësimit të Allahut dhe largimit nga idhujt dhe idhujtaria: “Shikoni, o njerëz, çfarë provash dhe mrekullish të mëdha gjenden në qiej, si Dielli e Hëna, yjet e planetet, galaktikat dhe universi, ndryshimi i natës dhe ditës, rënia e shiut dhe mbirja e bimëve me të cilat ushqeheni, malet dhe fushat, lumenjtë e detet, dhe gjithçka shihni në qiej e në Tokë, të cilat vërtetojnë madhështinë e Krijuesit të tyre. Nëse i shihni këto si duhet, dhe përdorni pak arsyen, do të gjeni se ato janë vepër e Atij, të Cilit nuk duhet t’i bëni ortak në pushtetin dhe pronën e Tij; dhe këto janë prova të mjaftueshme për këtë, kështu që mos kërkoni prova të tjera.

[6] Pavarësisht pse shohin prova dhe mrekulli të mëdha që vërtetojnë madhështinë e Krijuesit, asnjë provë dhe asnjë paralajmërues i dërguar nga Allahu, nuk i bën dobi njerëzve që nuk besojnë, për shkak të kryeneçësisë dhe largimit të tyre, deri sa të shohin dënimin e dhembshëm me sytë e tyre, por atëherë nuk do u bëjë dobi besimi, nëse nuk kanë besuar më parë.

[7] A mos presin idhujtarët, me përgënjeshtrimin që të bëjnë ty dhe të asaj që të është shpallur nga Allahu, gjë tjetër përveç një dite dënimi nga qielli, si ditët e dënimit të popujve mohues e idhujtarë të mëparshëm dhe paraardhës të tyre?!

[8] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve dhe mohuesve: “Prisni dënimin e Allahut, se edhe unë bashkë me ju po pres dënimin që do të zbresë Allahu mbi ju.”

[9] Pasi e zbresim dënimin Tonë mbi popullin idhujtar e mohues, Ne i shpëtojmë nga dënimi të dërguarit Tanë dhe ata që besuan bashkë me ta; po kështu do të shpëtojmë edhe ty, o Muhamed, dhe ata që kanë besuar bashkë me ty, me mirësinë dhe mëshirën Tonë, dhe kjo është detyra Jonë ndaj besimtarëve, të cilën ia kemi vënë Vetes Sonë.

[10] Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve që u çuditën pse Unë të zbrita ty Shpalljen Time: “O njerëz! Nëse keni dyshim për vërtetësinë e fesë time, në të cilën unë ju ftoj, dhe dyshoni nëse është apo jo prej Allahut, atëherë duhet ta dini se dyshimin duhet ta keni për fenë dhe adhurimin tuaj që i bëni idhujve të cilët nuk kanë fuqi të bëjnë asgjë për të mirën apo për të keqen tuaj, dhe sigurisht që unë nuk i adhuroj ato, dhe as ju nuk duhet t’i adhuroni nëse keni pak logjikë, por unë adhuroj Allahun, i Cili ka në dorë jetën dhe vdekjen tuaj, dhe gjithçka, sepse gjithçka është pronë e Tij, kështu që edhe ju duhet të adhuroni vetëm Allahun; Ai që adhuron Allahun, nuk mund të qortohet apo të tallet nga askush që ka logjikë të shëndoshë; kurse ai që adhuron idhujt prej guri e druri, apo prej njerëzve e xhinëve, maleve apo yjeve, apo çdo gjë tjetër që nuk del nga të qenët krijesë e Allahut dhe pronë e Tij, padyshim se ai qortohet dhe tallet nga çdokush që ka logjikë të shëndoshë.

[11] Jam urdhëruar të jem nga besimtarët, dhe jam urdhëruar të qëndroj me vendosmëri në fenë e vërtetë Islame, pa devijuar aspak prej saj dhe pa anuar nga ndonjë fe tjetër apo nga paganizmi; Dhe jam urdhëruar të mos jem nga ata që i bëjnë ortak Allahut në adhurim, se përndryshe do të jem nga të shkatërruarit.

[12] Jam urdhëruar gjithashtu që përveç Allahut të mos lus dhe adhuroj askënd dhe asgjë tjetër, që nuk më bën dobi as në këtë botë as në botën tjetër, dhe nuk mund të më dëmtojë as në fe as në jetën e përditshme të kësaj bote, apo në botën tjetër; Nëse do e bëje këtë, o i Dërguar, vërtet që do të ishe nga idhujtarët që i bëjnë padrejtësi vetvetes duke tërhequr zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut mbi veten. Sigurisht qe i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) është larg kësaj, por fjala i drejtohet të gjithë njerëzve, për t’ju treguar atyre se edhe sikur i Dërguari ta bënte këtë gjë, do të ndëshkohej rëndë njësoj si idhujtarët, prandaj bëni kujdes, o njerëz, dhe mos tërhiqni zemërimin e Allahut mbi veten tuaj me idhujtari dhe shkelje të urdhrave të Tij.

-220-


  1. Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, askush nuk mund ta largojë atë, përveç Tij; dhe nëse dëshiron për ty ndonjë të mirë, askush nuk mund ta pengojë mirësinë e Tij.[1] Ai ia jep atë (mirësinë) kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[2]
  2. Thuaj: “O njerëz! Juve ju ka ardhur e Vërteta nga Zoti juaj; kështu që kush udhëzohet, udhëzohet për të mirën e vet dhe kush humb, humb në dëmin e vet. Unë nuk jam mbikëqyrës ndaj jush.”[3]
  3. Ndiq atë që të është shpallur (o Muhamed), dhe duro derisa Allahu të gjykojë. Ai është Gjykatësi më i mirë.[4]

[1] Nëse Allahu të spovon me ndonjë fatkeqësi, askush nuk mund ta largojë atë prej teje, përveç Zotit tënd, as idhujt që adhurojnë idhujtarët, as xhinët e as njerëzit; dhe po kështu, nëse Allahu dëshiron për ty ndonjë të mirë, begati, gëzim e shëndet, askush nuk mund ta pengojë këtë gjë prej teje dhe as ty prej saj, sepse e mira dhe e keqja janë vetëm në dorë të Allahut, dhe jo të idhujve apo ndokujt tjetër. Pra, vetëm Allahu meriton të adhurohet, kështu që mos i bëni ortak Atij në adhurim, sende e idhuj që nuk kanë në dorë tju sjellin as dëm as dobi.

[2] Allahu i jep të mira dhe godet me fatkeqësi kë të dojë nga robët e Tij, si sprovë për ta, me qëllim që t’u falë mëkatet atyre që durojnë gjatë sprovës apo që falënderojnë për të mirat që u jep Allahu; dhe që t’i mëshirojë ata që e besojnë Atë dhe që i binden Atij, dhe të mos i dënojë ata.

[3] Thuaju njerëzve, o Muhamed: “Juve ju ka ardhur Libri i Allahut, Kurani, në të cilin sqarohet gjithçka i nevojitet njerëzve për fenë dhe jetën e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër; kështu që, kushdo që ndjek rrugën e drejtë të udhëzimit dhe beson atë që ka shpallur Allahu, udhëzohet për veten dhe të mirën e tij, dhe të askujt tjetër; dhe po kështu, ai që devijon nga rruga e drejtë dhe merr rrugë tjetër nga ajo e besimit të vërtetë që ka ardhur nga Allahu dhe që i është shpallur Muhamedit, padyshim që dëmi i tij bie mbi veten e tij dhe mbi askënd tjetër. Kurse unë nuk jam mbikëqyrësi dhe drejtuesi juaj me forcë, por detyra ime është vetëm t’ju komunikoj atë që më shpallet nga Allahu.”

[4] Ndiq atë që të shpall Allahu, o Muhamed, zbatoje atë në mënyrën më të mirë dhe duro ndaj të këqiave që të shkaktojnë idhujtarët prej popullit tënd, deri sa Allahu të gjykojë mes jush, dhe padyshim se Allahu është Gjykatësi më i mirë dhe më i drejtë, dhe i jep secilit atë që meriton, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij absolute. Sigurisht që i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) qëndroi fortë në rrugën e drejtë të Allahut, deri sa Allahu e ngriti fenë e Tij mbi të gjitha fetë, dhe i dha të Dërguarit të Tij triumfin mbi armiqtë e tij, me shpatë dhe me dije e provë të qartë; dhe Allahut i takon falënderimi dhe lavdet më të mira, ashtu si i përshtatet Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij Absolute!

-221-