Vlera e dhjetë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe

Allahu i Madhëruar thotë:

“وَالْفَجْرِ. وَلَيَالٍ عَشْرٍ”

“Betohem për muzgun e agimit, dhe për dhjetë netët!”

Imam Taberiu thotë: “Është fjala për dhjetë e netët e para të muajit Dhul Hixhe, për këtë është bashkuar fjala e të gjithë komentuesve të Kuranit.”

Ndërsa Ibën Kethiri e përforcon këtë me fjalën: “Janë për qëllim dhjetë netët e Dhul Hixhes, siç e ka thënë Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Muxhahidi e të tjerë prej selefëve dhe halefëve (të mëvonshmëve). Ndërsa betimi në muzgun e agimit është për qëllim sabahu i ditës së Kurban Bajramit e cila është edhe mbyllja e dhjetëditëshit.”

Allahu i Madhëruar thotë:

“وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالاً وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ. لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ” [الحج: 27 -28]

“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” [El Haxh, 27-28].

Ibën Kethiri thotë: “Ibën Abasi thotë se“ditët e caktuara” janë dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Këtë e ka përmendur edhe Buhariu në formën “mualak” –pa sened, por në mënyrë të prerë –që e ka thënë…”

Ibën Abasi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se sa në këto ditë –d.m.th. dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut! As xhihadi në rrugë të Allahut?” –“As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç nëse një burrë del me pasurinë dhe veten e tij pastaj nuk kthehet me asnjë prej këtyre.” [Buhariu 969 me shprehje të përafërt, Ebu Daudi 2438, Tirmidhiu, Ibën Maxheh 1727, Ahmedi 1/346].

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) u pyet për dhjetë e ditët e para të Dhul Hixhes dhe për dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, cilat prej tyre janë më të mira? Ai u përgjigj: “Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes janë më të mira se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e para të Dhul Hixhes.” Ibnul Kajim thotë: “Nëse njeriu i zgjuar mediton pak në këtë përgjigje, e gjen atë të mjaftueshme dhe të plotë, pasi që nuk ka ditë ku veprat të jenë më të mira se sa dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, ditë në të cilat gjendet Dita e Tervijes (dita e parë e haxhit), dita e Arafatit dhe dita e Kurbanit. Ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netë gjallërimi me adhurim të cilat i Dërguari i Allahut i përjetonte të gjitha me adhurim. Në ato natë gjendet edhe nata e Kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush përgjigjet me sqarim tjetër përveç këtij, nuk ka sjellë argument të saktë.” [Mexhmuul fetava, 6/100].

Prej veprave të mira që kryhen në këto ditë përmendim: Namazet nafile, namazin e natës, lëmoshat e ndryshme, leximi i Kuranit, agjërimi, therja e kurbanit, e tjerë e tjerë prej veprave të mira e të dashura tek Allahu. Tërheqim vërejtjen këtu se nuk ka ardhur ndonjë argument që këto ditë të agjërohen të gjitha njëra pas tjetrës, por sipas mundësisë. Gjithashtu të mos harrohet dita e Arafatit, dita e nëntë e Dhul Hixhes, me agjërimin e të cilës falen gjynahet e dy viteve të njëpasnjëshme, siç ka ardhur në hadith të saktë. [Sahihu et Targib, 1012].

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!