Përmbledhje e dispozitave të Pelegrinazhit në Shtëpinë e Lashtë të Allahut (Haxhi)
Nga publikimet e Qendrës “Imam Albani”, në Jordani
* Dita e “Tervijes”, dita e tetë e muajit Dhul Hixhe:
1.. Në këtë ditë preferohet larja e të gjithë trupit dhe parfumosja e tij, para veshjes së Ihramit.
2. Eshtë Sunet që pelegrini ta bëjë Ihramin (nijetin për haxh dhe veshjen e rrobës së bardhë), para drekës.
3. Kur bën nijetin për haxhin, thua: “Lebejke haxhen la rijae fijhi ue la sumah” “Të përgjigjem Ty (o Zot) në kryerjen e haxhit pa hipokrizi dhe pa syefaqësi në të.”
E nëse frikësohesh nga ndonjë gjë që mund të të pengojë nga plotësimi i haxhit, atëherë në bërjen e nijetit bëj kushtëzim duke thënë: “E nëse më pengon ndonjë pengues, atëherë lejimi im (dalja nga ihrami) do të jetë atje ku do të më pengosh.”
4. Të përsëriturit sa më shumë “Telbijen”, forma e të cilës është të thuash kështu: “Lebejke Allahume lebejke, lebejke la sherike leke lebejeke. Innel hamde ue niamete leke uel mulke, la sherike leke” që do të thotë “Të përgjigjem Ty, o Zoti im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty, Ti je i Pashoq, të përgjigjem. I gjithë lavdërimi dhe mirësia të përket Ty, edhe zotërimi. Ti je i Pashoq.”
Pastaj fal namazin e drekës dhe të ikindisë, pastaj akshamin dhe jacinë, pastaj sabahun, të gjitha këto në Mina. Vazhdon të përsëritësh “Telbijen” që nga dita e tetë (e Dhul Hixhes) deri në ditën e Bajramit, në hedhjen e gurëve.
5. Namazet me katër rekate i fal të shkurtuara me nga dy rekate, por pa i bashkuar.
6. Përkujdesja për faljen e namazeve me xhemat, me imamin e haxhit.
7. Përkujdesja për faljen e namazit të vitrit dhe suneteve të sabahut.
8. Të përmendurit sa më shumë Allahun, të lexuarit sa më shumë Kuran dhe të bërit sa më shumë dua.
Kujdes nënvlerësimin e të fjeturit në Mina natën e kësaj dite.
* Dita e Arafatit, dita e nëntë e muajit Dhul Hixhe:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë për ditën e Arafatit: “Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje është: La ilahe il lAllah uahdehu la sherike lehu lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kuli shejin kadir”.
1. Të ecurit për në malin e Arafit, pas lindjes së diellit.
2. Të zbriturit në vendin (xhaminë) e quajtur Nemira në drekë (nëse ke mundësi), e nëse jo nuk ka problem, sepse të zbriturit atje është sunet (duke bërë me dije se Nemira nuk përfshihet në zonën e Arafatit).
3. Të falurit e namazit të drekës dhe të ikindisë (të bashkuara dhe të shkurtuara) në kohën e drekës.
4. Të përpjekurit në bërjen sa më shumë dhikër dhe lutje, me përgjërim tek Allahu me duart ngritur gjatë bërjes dua. Lejohet gjithashtu që të lexosh Kuran dhe të bësh telbije.
5. Të ndenjurit në Arafat deri në perëndim të diellit.
6. Bamirësia për pelegrinët e tjerë me të gjitha llojet e ndihmës dhe mirësisë.
(Ruaju mundimit për t’u ngjitur në malin e Arafatit si dhe të prekurit e tij. Po kështu edhe të kthyerit nga mali i quajtur “Mali i Mëshirës”. Kujdes, mos e nënvlerëso madhështinë e kësaj dite, që më pas të pendohesh atëherë “kur nuk është koha e pendimit”.
* Nata e Muzdelifes:
1. Të ecurit nga Arafati në Muzdelife (pas perëndimit të diellit), me qetësi dhe modesti.
2. Të falurit e namazit të akshamit dhe jacisë (të bashkuara dhe të shkurtuara), me një ezan dhe dy ikamete, para se të vendosen plackat.
3. Të fjeturit gjumë menjëherë pas namazit dhe të mosangazhuarit me gjë tjetër.
4. Të fjeturit në Muzdelife është uaxhib (obligim), por i lejohet të dobëtëve prej burrave dhe grave që ta lënë Muzdelifenë pas mesit të natës, ndërsa për ata që nuk janë të dobët dhe as shoqërues të tyre, ata duhet të qëndrojnë në Muzdelife deri sa të falin namazin e sabahut me xhemat.
5. Pastaj drejtohesh për në “Meshari el Haram” dhe atje njëson dhe madhëron Allahun, bën lutje për çfarë të duash (deri sa të përhapet drita) para se të lindë dielli. Por nëse nuk mundesh të shkosh në “Meshari el Haram”, bën lutje në vendin ku ndodhesh, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Unë po qëndroj këtu, megjithëse e gjithë Muzdelifa është vend qëndrimi.”
(Ruaju të angazhuarit me mbledhjen e gurëve nga të bërit lutje dhe dhikër (pas faljes së sabahut).
* Dita e Kurbanit: dita e dhjetë e muajit Dhul Hixhe:
1. Të lëvizurit nga Muzdelife në Mina (para lindjes së diellit) me qetësi dhe modesti.
2. Preferohet të ecurit me nxitim kur kalon pranë “Luginës së Muhasirit”, nëse ke mundësi.
3. Të angazhuarit me thënien e “Telbijes” deri sa të mbërrish në “Xhemratu el Akabe” vendin ku hidhen gurët, e kalon atë dhe qëndron në atë mënyrë që në të djathtë të kesh Minanë dhe në të majtë Mekën. Aty godet “Xhemrate el Akabe” me shtatë guralecë, ku me çdo gur thua “Allahu ekber- Allahu është më i Madhi”. Duhet që pelegrini të mundohet t’i gjuajë gurët në rrethin e caktuar edhe nëse e godet shtyllën në mes, nuk ka problem.
4. Therja e kurbanit, dhe është e preferuar që pelegrini ta therë atë me dorën e tij, nëse ka mundësi.
5. Burri duhet të rruajë flokët e kokës së tij, ose t’i shkurtojë ato, por rruajtja është më e preferuar. Ndërsa gruaja duhet të presë vetëm majat e një tufe flokësh nga koka e saj.
6. Pas gjuajtjes së gurëve në “Xhemrati el Akabe”, pelegrinit i lejohet çdo gjë që i ka qenë ndaluar me Ihramin, përveç bashkimit me gruan dhe ky quhet: “Lejimi i parë”. Për këtë lejim, disa dijetarë kanë kushtëzuar edhe qethjen e kokës apo shkurtimin e flokëve bashkë me gjuajtjen e gurëve.
7. Pas këtij lejimi, për pelegrinin është sunet që të parfumohet dhe të pastrohet, pastaj drejtohesh për në Mekë, që të kryesh tavafin e Ifadas, i cili është nga shtyllat (ruknet) e haxhit pa të cilin haxhi nuk mund të plotësohet. Pas këtij tavafi, pelegrinit i lejohet çdo gjë (e lejuar në origjinë), edhe bashkimi me gruan.
8. Të ecurit nga Safa në Merva dhe anasjelltas. Kjo është e preferuar dhe jo obligim, sipas fjalës më të saktë nga fjalët e dijetarëve.
9. Vepra sipas sunetit, dhe më e mira, është që veprimet e kësaj dite të radhiten sipas renditjes së përmendur më sipër, por lejohet edhe paraprija apo vonesa e ndonjërës prej tyre nga tjetra, pa ndonjë lloj problemi.
Ruaju nënvlerësimit në ngarkimin e dikujt tjetër për gjuajtjen e gurëve të Akabesë për ty!
* Ditët e Teshrikut: Dita e 11-të, 12-të dhe e 13-të e Dhul Hixhes:
1. Hedhja e gurëve në të tre xhemaratet, duke filluar me të voglën, të mesmen pastaj të madhen (akaben), secilën prej tyre e godet me nga shtatë gurë duke thënë “Allahu ekber – Allahu është më i Madhi” me gjuajtjen e çdo guri. Kjo bëhet në dy ditët (11 dhe 12 të Dhul Hixhes), për atë që nxiton, dhe shtohet e dita e 13 për atë që qëndron.
2. Koha e hedhjes së gurëve në këto ditë fillon pas drekës dhe nuk lejohet para saj.
3. Pas hedhjes së gurëve është sunet që të kthehesh nga Kibla dhe të bësh lutje sa më gjatë (sa gjatësia e sures Bekare, nëse mundesh), me duart të ngritura. Kjo bëhet në xhemeran e parë (para saj, në të dytën) në të majtë të saj, ndërsa pas i hedh gurët tek e treta (el akabe) nuk e bën këtë gjë, por largohesh.
4. Të kaluarit e natës në Mina, edhe nëse nuk fle gjumë. Kjo është uaxhib (obligim).
5. Të gjitha namazet e ditëve të Minasë i fal në kohën e tyre duke i shkurtuar namazet me katër rekate në dy rekate.
6. Shfrytëzimi i këtyre ditëve të begata me lexim Kurani, dhikër, tekbir dhe punë të tjera të mira.
7. Kryerja e tavafit të Lamtumirës, i cili bëhet kur do të largohesh nga Meka.
Kujdes! Mos i hidh gurët e xhemarateve para lindjes së diellit dhe mos e neglizho të kaluarit e natës në Mina!
Kjo është edhe vepra e fundit e pelegrinit.
Lusim Allahun e Madhëruar që të na i pranojë punët e mira, neve dhe juve!