RREGULLAT E GJUETISË DHE THERJES SË KAFSHËVE QË U HAHET MISHI

 

Përgatiti: Bledar Albani


Parathënie

Falenderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!”

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.”

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe.”

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë), ndërsa çdo humbje e ka vendin në zjarr.

Tekstet Kur’anore dhe thëniet e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) përmbajnë në vetvete disa veçori të cilat nuk i përmbajnë fjalët e njerëzve, kemi për qëllim këtu njerëzit e ditur dhe dijetarët e jurisprudencës Islame. Këto veçori sillen rreth tre gjërave:

  1. Tekstet hyjnore janë të qëndrueshme e të patundura për nga saktësia dhe pandryshueshmëria e tyre, ndërsa njerëzit mund të kthehen nga një fjalë që kanë thënë më parë, nëse u bëhet e qartë se e vërteta është ndryshe nga ajo.
  2. Tekstet hyjnore janë vendimtare dhe të padiskutueshme, ndërsa fjalët e njerëzve nuk janë të atilla.
  3. Tekstet hyjnore janë gjithpërfshirëse për nga vendi, koha dhe njerëzit, ndërsa fjalët e njerëzve nuk janë të atilla.

Nëse kjo bëhet e qartë, atëherë duhet ditur se fjalët e njerëzve nuk i posedojnë këto veçori të plota, por ato i ballafaqohen të kundërtës së tyre dhe mund të rrëzohen. Ato janë të diskutueshme dhe nuk janë gjithpërfshirëse për nga vendi dhe koha, as nuk përfshijnë të gjithë njerëzit.

Për këtë shkak, ne shpeshherë gjejmë kundërshtime në mesin e dijetarëve në librat e fikhut –jurisprudencës Islame, ku secili prej tyre i mbështet mendimet e tij me argumente dhe kjo do të thotë se kundërshtimi ndërmjet tyre është me vend dhe i konsiderueshëm.

Prej këtu, nuk i lejohet askujt që është fanatik i një medhhebi apo i një dijetari të caktuar, që ta quajë bidatçi, apo të humbur e aq më tepër ta nxjerrë nga Islami duke u bazuar në rrjedhoja të imagjinuara[1], atë që ushqen mendim të kundërt nga ai i tij, sigurisht i bazuar në fjalët e dijetarëve dhe gjithmonë e kemi fjalën për lëminë e fikhut, jo të akides e menhexhit.

Gjithashtu nuk duhet të kuptohet nga kjo se e vërteta tek Allahu është e shumënumërt, por ajo është vetëm një, ndërsa juristi, apo dijetari përpiqet të japë mundin e tij maksimal për arritjen e njohjes së të vërtetës dhe ai mund t’ia qëllojë asaj, ashtu si edhe mund ta gabojë atë, siç thuhet edhe në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse gjykatësi gjykon pas përpjekjes së tij (maksimale) dhe ia qëllon të vërtetës, ai ka dy shpërblime dhe nëse gjykon pas përpjekjes së tij por gabon, ai ka vetëm një shpërblim.”[2]

Këto gjëra duhet të kihen parasysh në leximin e libërthit që keni para duarve dhe që bën fjalë për një çështje të rëndësishme në jetën e përditshme të muslimanit. Ajo çështje ka lidhje me ushqimin e tij, për të cilin muslimani duhet të kujdeset që të hajë hallallin dhe t’i largohet haramit, të caktuara nga Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Të mos bëjë hallall atë që Allahu e ka ndaluar dhe të mos e ndalojë atë që Allahu e ka bërë hallall.

Në këtë libërth është shtjelluar çështja e gjuetisë dhe therjes së kafshëve që u hahet mishi, siç vërehet edhe nga titulli i tij.

Për përgatitjen e tij jam mbështetur në burimet bazë të medhhebeve të fikhut Islam, prej të cilave është “El-Mugni” i Ibën Kudame el Hanbeli, që konsiderohet një burim përmbledhës dhe krahasues i të gjitha medhhebeve të fikhut si dhe të dijetarëve të pavarur të tij, por autori është hanbeli dhe kështu që shpeshherë ai zgjedh fjalën e medhhebit hanbeli.

Një libër tjetër nga i cili kam marrë është “Kitabul Mexhmu” i imam Neveviut dhe dy dijetarëve të tjerë të mëvonshëm nga ai, të cilët plotësuan atë që ai la. Edhe ky burim ka veçoritë e të parit, por ky i jep përparësi medhhebit shafii.

Po si dy të parët mund të konsiderohet edhe libri “El Muhala” i Ibën Hazëm, i cili ndjek medhhebin e mohuesëve të kijasit– marrjes së gjykimit për një çështje të caktuar duke e krahasuar me një çështje të përmendur në tekstet e sheriatit, apo siç quhen ndryshe me emrin “dhahiri”- që bazohen në domethënien e drejtpërdrejtë të teksteve.

Po kështu kam marrë hadithe edhe nga libri “Es sunenu el kubra” i Bejhakiut.

Tërheq vërejtjen se të gjitha hadithet e përmendura në këtë libër i kam ballafaquar me studimet e shejh Albanit dhe gjykimet për to i kam marrë nga librat e tij (Allahu e mëshiroftë!).

Jam përpjekur të përmend vetëm hadithe të sakta dhe i kam lënë shumë hadithe të përmendura në burimet e sipërpërmendura, për shkak të dobësisë së tyre.

Besoj se lexuesi do ta gjejë atë që kërkon në lidhje me subjektin në fjalë dhe do të dijë të dallojë në mesin e fjalëve të dijetarëve, megjithëse shpeshherë e kam përmendur thënien më të saktë që duhet pasuar. Ai do të kuptojë edhe shumë gjëra të papërmendura në të, nëse do të qëndronte pak në ato që janë përmendur, në bazat e përgjithshme të çështjes në fjalë.

Lus Allahun e Lartëmadhëruar të na e bëjë të kuptueshme Fenë e Tij dhe të na japë fikh- kuptim të thellë në të!

Lus Allahun e Madhëruar të udhëzojë muslimanët në Fenë e Tij dhe t’i drejtojë ata tek ajo rrënjësisht! Ai është Zoti i kësaj dhe i Mundëshmi për çdo gjë.

Bledar Albani

Amman, Jordan

9/10/2004


Ligjshmëria e gjuetisë[3]

Ligjshmëria e gjuetisë ka bazë në Kur’an, në Sunet dhe në mendimin unanim të dijetarëve muslimanë (el-ixhma).

Allahu i Lartësuar thotë:

“أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ الْبَحْرِ وَطَعَامُهُ مَتَاعاً لَّكُمْ وَلِلسَّيَّارَةِ وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ الْبَرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُماً”

“Juve u është lejuar gjuetia e detit (kafshëve ujore) dhe ushqimi i tij është në dispozicionin tuaj dhe të udhëtarëve, por juve u është ndaluar gjuetia në tokë për sa kohë që jeni në gjendje të Ihramit (me rrobat e haxhit).” [El-Maide: 96].

Allahu i lartësuar gjithashtu thotë:

“وَإِذَا حَلَلْتُمْ فَاصْطَادُواْ”  (المائدة : 2 )

“Kur të kaloni gjendjen e Ihramit, bëni gjueti!” [“El-Maide: 2].

Dhe thotë:

“يَسْأَلُونَكَ مَاذَا أُحِلَّ لَهُمْ قُلْ أُحِلَّ لَكُمُ الطَّيِّبَاتُ وَمَا عَلَّمْتُم مِّنَ الْجَوَارِحِ مُكَلِّبِينَ تُعَلِّمُونَهُنَّ مِمَّا عَلَّمَكُمُ اللّهُ فَكُلُواْ مِمَّا أَمْسَكْنَ عَلَيْكُمْ وَاذْكُرُواْ اسْمَ اللّهِ عَلَيْهِ وَاتَّقُواْ اللّهَ إِنَّ اللّهَ سَرِيعُ الْحِسَابِ”

“Të pyesin ty (O Muhamed) se ç’është e lejuar për ta. Thuaj: Të lejuara për ju janë të gjitha të mirat e të pastërtat, ndërsa sa për ato kafshë gjahu të cilat ju i keni stërvitur për të gjuajtur, duke i stërvitur e mësuar siç ju ka udhëzuar Allahu, hani ç’farë ato kapin për ju dhe përmendni emrin e Allahut kur t’i lëshoni ato, dhe kijeni frikë Allahun. Vërtet Allahu është më i shpejti në llogari.” [El-Maide: 4].

Ndërsa argumenti nga suneti është hadithi i përcjellë nga Ebu Thealebe El-Husheni, ka thënë: Shkova tek i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut, ne jetojmë në një tokë gjuetie dhe unë gjuaj me harkun tim, me qenin tim të mësuar dhe me qen të pamësuar. Më trego se ç’farë më lejohet nga gjuetia?

Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Për sa i përket asaj që përmende, se ju jetoni në një tokë gjuetie, atë që gjuan me harkun tënd dhe e përmend Emrin e Allahut kur e lëshon shigjetën, atë haje! Ndërsa atë që gjuan me qenin tënd të mësuar duke e përmendur Emrin e Allahut kur e lëshon atë, atë haje! Ndërsa atë që zë me qenin tënd të pamësuar dhe arrin që t’a therësh gjahun e tij, atë haje!”[4]

Transmetohet nga Adij ibën Hatim se ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut, ne lëshojmë qenin e mësuar për gjueti dhe ai e kap gjahun për ne (a t’a hamë atë)? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ha prej tij!”

Unë i thashë: Edhe nëse ai e vret gjahun? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ha, nëse nuk i bashkohet atij qen tjetër!”

Thotë: I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u pyet gjithashtu për gjahun e vrarë me shtizë dhe ai tha: “Nëse ajo e çan kafshën (dhe i del gjaku), haje, por nëse e vret me trupin e saj (jo me majën e shtizës), atëherë mos e ha!”

Të dy këto hadithe janë muttefekun alejhima.

Gjithashtu janë bashkuar të gjithë dijetarët dhe kanë rënë në konsensus për ligjshmërinë e gjuetisë dhe për ngrënien e gjahut.

Kushtet për lejimin e ngrënies së gjahut[5]

Nëse thua Bismilah dhe lëshon qenin apo ndonjë kafshë tjetër gjuetie të mësuar dhe ai e kap gjahun dhe e vret atë por nuk ha prej tij, ngrënia e atij gjahu është e lejuar.

Ndërsa gjahun të cilin arrin t’a therësh, në lejimin e ngrënies së tij nuk kushtëzohet veçse therja e saktë. Për këtë i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Ndërsa atë që zë e qenin tënd të pamësuar dhe arrin që t’a therësh gjahun e tij, atë haje!”[6]

Ndërsa për lejimin e ngrënies së kafshës që vritet me diçka të mprehtë, ka gjashtë kushte:

1- Gjuetari duhet të jetë prej atyre të cilëve u lejohet therja, d.m.th. e thera e të cilëve është e lejuar të hahet. Nëse ai është politeist, ose që ka dalë nga Islami (murted), ose mexhus, apo që nuk është prej muslimanëve dhe ehlil-kitab (çifutëve dhe të krishterëve), apo që është me të meta mendore, gjahu i zënë prej tyre nuk lejohet të hahet. Kjo sepse gjuatja në këtë rast është në vend të therjes dhe kafsha e gjuetisë është në vend të mjetit therës si thika, kështuqë kafshimi i saj që i bën gjahut është në vend të prerjes së venës së qafës.

I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ajo që i merret qenit (të pamësuar dhe që nuk ka ngordhur), duhet të theret.”[7]

2- Kushti i dytë: Të thuash Bismilah kur lëshon kafshën e gjuetisë. Nëse thënia Bismilah lihet nga harresa apo qëllimisht, dijetarët kanë rënë në kundërshtim për lejimin e ngrënies së gjahut. Disa prej tyre thonë se nuk lejohet ngrënia e tij dhe kjo është fjala e Esh-Sheabi, Ebu Theurit dhe Daudit. Ndërsa Hanbeli ka përcjellë nga Ahmedi se nëse e harron thënien Bismilah kur therr kafshën apo lëshon qenin e gjuetisë, lejohet ngrënia e saj. El-Khalal thotë: Hanbeli ka gabuar në transmetimin e tij, sepse në të thuhet: Nëse harron (të thuash Bismilah) dhe e vret kafshën, nuk duhet të hash prej saj.

Prej dijetarëve të cilët e kanë lejuar ngrënien e kafshës së therur apo gjuajtur pa Bismilah, nga harresa dhe jo me vetëdije, është imam Ebu Hanife dhe Maliku. Ata janë argumentuar me fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që thotë: “Popullit tim i është falur gabimi dhe harresa.”[8]

Dhe sepse lëshimi i kafshës së gjuetisë është në vend të therjes, kështuqë harresa në të është e falur, ashtu si në therje.

Nga Ahmedi është përcjellë gjithashtu se thënia Bismilah është kusht në lëshimin e qenit, me qëllim apo në harresë, por kjo nuk është e detyrueshme në lëshimin e shtizës, sepse ajo është mjet vrasës dhe nuk ka mund të zgjedhë. Ajo është si thika, ndryshe nga kafsha, e cila e bën këtë me zgjedhjen e vet.

Ndërsa imam Shafiu thotë: Lejohet ngrënia e kafshës së vrarë pa Bismilah, qoftë nga harresa apo me vetëdije, sepse El-Bera ka transmetuar se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Muslimani therr me Emrin e Allahut, e shpreh apo nuk e shpreh atë.”[9]

Transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u pyet: Ç’farë thua për atë njeri nga ne i cili therr një kafshë dhe harron të thotë Bismilah? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Emri i Allahut është në zemrën e çdo muslimani.”[10]

Nga Ahmedi është përcjellë gjithashtu një fjalë tjetër si kjo.

Dijetarët e medhhebit hanbeli, të cilët kanë zgjedhur kushtëzimin e përmendjes së Emrit të Allahut kur lëshon qenin e gjahut, apo shtizën dhe se përndryshe nuk lejohet ngrënia e atij gjahu, argumentohen me Fjalën e Allahut:

“فَكُلُواْ مِمَّا أَمْسَكْنَ عَلَيْكُمْ وَاذْكُرُواْ اسْمَ اللّهِ عَلَيْهِ”

“Hani ç’farë ato kapin për ju dhe përmendni emrin e Allahut kur t’i lëshoni ato!” [El-Maide: 4].

Dhe me fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Kur e lëshon qenin tënd dhe përmend Emrin e Allahut, atëherë ha (prej atij gjahu)!”

Thashë (transmetuesi): Po nëse unë lëshoj qenin tim dhe bashkë me të gjej edhe një qen tjetër tek gjahu? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë mos ha, sepse ti ke përmendur Emrin e Allahut për qenin tënd dhe nuk e ke bërë këtë për qenin tjetër!”[11]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse me qenin tënd bashkohen qenë të tjerë, në lëshimin e të cilëve nuk është përmendur Emri i Allahut, pastaj ato e zënë dhe e vrasin gjahun, mos ha prej tij!”[12]

Këto tekste të sakta nuk lëkunden përballë teksteve që i kundërshtojnë ato. Pastaj, hadithet e dijetarëve shafiij nuk janë përmendur në librat e suneneve të njohura dhe sikur të supozonim se do të ishin të sakta, ato janë për therjen dhe jo për gjahun, ndërsa për gjahun kanë ardhur tekste të veçanta.

Përmendja e Emrit të Allahut në lëshimin e qenit apo të shtizës është të thuash “Bismilah”, ndërsa për therjen e kafshës është përcjellë se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thoshte: Bismilah ue Allahu ekber”[13]

Fjala “Bismilah” thuhet kur e lëshon qenin apo shigjetën, ashtu si dhe kur e ther kafshën, por nuk lejohet të dërgohet salavat mbi të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) bashkë me thënien “Bismilah”, as në gjueti dhe as në therje. Kjo është fjala e Lejthit, ndërsa Ebu Is’haku e ka konsideruar të pëlqyeshme këtë gjë. Këtë thotë edhe imam Shafiu dhe argumentohet me fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Kush dërgon salavat mbi mua një herë, Allahu i dërgon atij dhjetë herë.”[14]

Ndërsa ne (hanbelitë) kemi argument fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Në dy vende unë nuk përmendem; kur therni dhe kur teshtini.”[15]

Dhe sepse, nëse përmendet dikush tjetër përveç Allahut, kjo i përngjet atij që therr për dikë tjetër përveç Allahut.

3- Kushti i tretë: Duhet’ që kafshën e gjahut t’a lëshosh ti për gjah dhe nëse ajo ikën vetë dhe vret ndonjë gjah, ngrënia e tij nuk lejohet. Kjo është fjala e Rabij’as, Malikut, Shafiut, Ebu Theurit dhe dijetarëve të ra’jit- logjikës (hanefitë).

Ndërsa Atai dhe El-Euzai thonë: Nëse padroni i kafshës së e gjuetisë e nxjerrë atë për të gjuajtur, atëherë lejohet të hahet prej gjahut të saj. Ndërsa Is’haku thotë: Nëse përmend Emrin e Allahut kur ai shpëton dhe ikën me vrap, gjahu i tij lejohet të hahet.

4- Kushti i katërt: Kafsha e gjuetisë duhet të jetë e mësuar për gjueti. Për këtë kusht nuk ka kundërshtim në mesin e dijetarëve, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“وَمَا عَلَّمْتُم مِّنَ الْجَوَارِحِ مُكَلِّبِينَ تُعَلِّمُونَهُنَّ مِمَّا عَلَّمَكُمُ اللّهُ فَكُلُواْ مِمَّا أَمْسَكْنَ عَلَيْكُمْ

“Ndërsa sa për ato kafshë gjahu të cilat ju i keni stërvitur për të gjuajtur, duke i stërvitur e mësuar siç ju ka udhëzuar Allahu, hani ç’farë ato kapin për ju” [El-Maide: 4].

Në të qënurit e kafshës së gjahut e mësuar konsiderohen tre kushte: Kur e lëshon, ikën. Kur e ndalon, bindet dhe kur e kap gjahun, nuk ha prej tij.

Sa për kushtin e tretë, kanë rënë në kundërshtim, por e sakta është konsiderimi i tij, sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse ajo (kafsha e gjuetisë) ha (prej gjahut), atëherë mos ha prej tij, sepse unë kam frikë se e ka kapur për veten e saj.”[16]

Por ka mundësi që qeni të hajë prej gjahut pasiqë t’a ketë vrarë dhe pasi të jetë larguar një herë prej tij. Nëse vërtetohet diçka e tillë, atëherë ngrënia e atij gjahu nuk është e ndaluar, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Ndërsa Ebu Hanife thotë: Nuk lejohet, sepse sikur ai të ishte i mësuar, nuk do të hante.

Por kuptimi i përgjithshëm i ajetit Kur’anor dhe haditheve tregojnë lejimin e saj dhe se ajo që ndalohet është përkufizuar nëse ai e ka zënë për vete. Kështu, nëse e gjejmë gjahun të ngrënë, ka mundësi që qeni të ketë harruar që e ka zënë për padronin e tij, ose për shkak të urisë, apo ka harruar mësimin, dhe kështu, nuk mund të lihet ajo që është e sigurtë për shkak të asaj që përmban mundësi të tjera.

– Nëse kafsha e gjuetisë pi prej gjakut të gjahut, por nuk ha prej tij, ai nuk bëhet haram. Kjo është fjala e imam Ahmedit, Atait, Shafiut, Is’hakut, Ebu Theurit dhe dijetarëve të ra’jit (hanefive).

Ndërsa Esh-Sheabi dhe Eth-Theuri e kanë ndaluar atë për shkak se sipas tyre, pirja e gjakut është njësoj si ngrënia e mishit.

Por ne kemi argument kuptimin e përgjithshëm të njoftimeve dhe prej tyre ka dalë vetëm ai gjah prej të cilit ha kafsha e gjuetisë, ndërsa në këtë rast, ajo nuk ka ngrënë dhe me këtë nuk del nga të qënurit kapës për padronin e saj.

– Gjithashtu nuk është haram gjahu i zënë pas gjahut prej të cilit ka ngrënë.

5- Kushti i pestë: Duhet që kafsha e gjuetisë apo shtiza t’a çajë gjahun dhe nëse e mbyt, apo e vret me forcën goditëse (pa i dalë gjaku), nuk lejohet ngrënia e mishit të saj. Sherifi thotë: Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve.

Ndërsa Shafiu në një fjalë të tij thotë: Lejohet ngrënia e mishit të saj, duke u argumentuar me domethënien e përgjithshme të ajetit dhe haditheve.

Por ne kemi argument se vrasja e gjahut është bërë pa e çarë atë (që t’i dalë gjaku), njësoj sikur të ishte vrarë me gurë apo me lajthi, ndërsa Allahu e ka ndaluar kafshën e ngordhur nga goditja. (El-Maide: 3).

Ndërsa i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse derdhet gjaku dhe përmendet Emri i Allahut, atë kafshë haje!”[17]

Kjo tregon se nuk lejohet ngrënia e kafshës të cilës nuk i është derdhur gjaku.

6- Kushti i gjashtë: Lëshimi i kafshës së gjuetisë për të kapur gjahun, sepse nëse e lëshon pa parë ndonjë gjah dhe pa e ndjerë atë, pastaj ajo kap gjah, ai gjah nuk lejohet të hahet. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, sepse padroni nuk e ka lëshuar qenin për gjah në këtë rast, por ai ka ikur vetë. Po kështu edhe nëse gjuan shigjetën për të qëlluar një shenjë të caktuar, por ajo vret një gjah. Apo nëse e gjuan lart dhe ajo bie e vret një gjah, këto nuk lejohen të hahen, sepse nuk është pasur për qëllim goditja e gjahut.

Llojet e kafshëve me të cilat mund të bëhet gjueti[18]

Çdo lloj kafshe që pranon të mësohet dhe me të cilën mund të bëhet gjueti, qoftë prej kafshëve grabitqare si leopardi apo zogjtë grabitqarë, gjykimi për to është i njëjtë me gjykimin për qenin e gjuetisë në lidhje me lejimin e gjahut të zënë me to.

Ibën Abasi (radiallahu anhu) ka thënë për Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“وَمَا عَلَّمْتُم مِّنَ الْجَوَارِحِ مُكَلِّبِينَ تُعَلِّمُونَهُنَّ مِمَّا عَلَّمَكُمُ اللّهُ فَكُلُواْ مِمَّا أَمْسَكْنَ عَلَيْكُمْ

“Ndërsa sa për ato kafshë gjahu të cilat ju i keni stërvitur për të gjuajtur, duke i stërvitur e mësuar siç ju ka udhëzuar Allahu, hani ç’farë ato kapin për ju” [El-Maide: 4]: Ato kafshë gjahu janë qentë e mësuar, çdo shpendë që ka mësuar të gjuajë, leopardët, skifterët e të ngjashme me to.

Këtë fjalë thotë edhe Tausi, Jahja ibën Ebi Kethir, El-Hasen, Maliku, Eth-Theuri, Ebu Hanife, Muhamed ibën El-Hasen, Shafiu dhe Ebu Theuri.

Ndërsa nga Ibën Umeri dhe Muxhahidi është përcjellë se gjahu nuk lejohet veçse me qen gjuetie.

– Nëse e lëshon skifterin e mësuar, apo ndonjë shpend tjetër gjuetie dhe ai e vret gjahun dhe ha prej tij, gjahu i tij përsëri hahet, sepse të mësuarit e tij është bërë në një mënyrë të tillë (që të hajë nga gjahu). Kushtet e gjuetisë me skifter janë të njëjta me kushtet e gjuetisë me qen, përveç ngrënies prej gjahut.

Kjo është edhe fjala e Ibën Abasit, po ashtu edhe e En-Nah’it, Hamadit, Eth-Theurit, Ebu Hanifes dhe shokëve të tij. Ndërsa imam Shafiu thotë se skifteri është njësoj si qeni në ndalimin e ngrënies së gjahut prej të cilit ai ha.

***

Gjahu i zënë me qen tërësisht të zi nuk lejohet të hahet sepse ai është shejtan. Kjo është edhe fjala e El-Hasen, En-Nah’it, Katades dhe Is’hakut. Ahmedi thotë: Nuk njoh ndokënd që t’a lejojë atë, d.m.th. prej selefëve –të parëve të popullit musliman.

Ndërsa Ebu Hanife, Maliku dhe shafiu e kanë lejuar gjahun e qenit tërësisht të zi, duke u bazuar në domethënien e përgjithshme të ajetit dhe haditheve, si dhe në krahasimin e tij me qentë e tjerë.

Ata që e kanë ndaluar atë, janë bazuar në fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që thotë: “Vriteni qenin tërësisht të zi dhe me dy pika (mbi sy), sepse ai është shejtan.”[19]

Kështuqë ajo kafshë që duhet të vritet, nuk mund të lejohet ngrënia e gjahut të saj dhe as të mësuarit e saj për gjah.

***

Nëse e arrin gjahun dhe atij ende nuk i ka dalë shpirti, pastaj nuk e ther atë derisa të ngordhë, ai nuk lejohet të hahet. Nuk është fjala këtu për daljen e shpirtit, si gjendja e kafshës së therur, por për atë kafshë që mund të jetojë me atë plagosje.

Nëse e lëshon qenin tënd dhe bashk me të tek gjahu gjen edhe një qen tjetër, ai gjah nuk lejohet të hahet, vetëm nëse arrihet i gjallë dhe theret. Origjina e kësaj fjale është hadithi i Adij ibën Hatim (radiallahu anhu): Po nëse unë lëshoj qenin tim dhe bashkë me të gjej edhe një qen tjetër tek gjahu? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë mos ha, sepse ti ke përmendur Emrin e Allahut për qenin tënd dhe nuk e ke bërë këtë për qenin tjetër!”[20]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Sepse ti nuk e di se cili prej tyre e ka vrarë gjahun.”

Ndërsa po të dihet se ai që e ka vrarë gjahun ka qënë qeni yt, apo se qeni tjetër ka qënë i mësuar dhe i lëshuar me Bismilah, atëherë ai gjah lejohet të hahet.

Nëse lëshon qenin tënd të gjuetisë dhe në të njëjtën kohë një mexhus (adhurues i zjarrit dhe që beson në dy zota- zotin e dritës dhe të errësirës) lëshon qenin e tij, pastaj që të dy ata qenë vrasin një gjah, ai nuk lejohet të hahet, sepse gjahu i mexhusit është haram për ne. Edhe nëse mexhusi gjuan me qenin e muslimanit, përsëri nuk lejohet ngrënia e gjahut të tij. Kjo është fjala e të gjithë dijetarëve. Ndërsa nëse gjuan muslimani me qenin e mexhusit, gjahu lejohet, sipas mendimit të Seid ibën el-Musejib, El-Hakem, Malikut, Shafiut, Ebu Theurit dhe dijetarëve hanefi. Ndërsa nga Ahmedi është përcjellë se kjo nuk lejohet. Po kështu atë nuk e ka preferuar Xhabiri, El-Hasen, Muxhahidi, En-Nah’ij dhe Eth-Theuri.  Këta bazohen në faktin se muslimani nuk e ka mësuar vetë atë kafshë për gjueti. Por ne themi se qeni i gjuetisë është mjet në dorën e njeriut, njësoj si harku dhe shtiza, kështuqë gjahu me të lejohet.

– Nëse një grup njerëzish lëshojnë qentë e tyre dhe thonë Bismilah, pastaj e gjejnë gjahun të vrarë, por nuk e dinë se cili prej qenëve e ka vrarë, ai gjah lejohet të hahet dhe nëse ata kundërshtohen, ai ndahet në mënyrë të barabartë midis atyre, qentë e të cilëve janë gjetur mbi gjah.

– Nëse thua Bismilah dhe qëllon një gjah, por godet një tjetër, ai lejohet të hahet.

– Nëse qëllon një gjah, por ai të humb nga sytë dhe më pas e gjen të ngordhur me shigjetën tënde në trup dhe pa ndonjë gjurmë tjetër që mund t’a ketë vrarë, ngrënia e tij lejohet. Po kështu edhe nëse e ka sulmuar gjahun qeni yt dhe më pas të humb nga sytë, pastaj e gjen të vrarë me qenin e tij pranë.

Origjina e kësaj është fjala e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të cilën e transmeton Adij ibën Hatim (radiallahu anhu): “Nëse e qëllon gjahun dhe e gjen atë pas një apo dy ditësh, duke qënë se në trupin e tij nuk ka gjurmë tjetër përveç shigjetës tënde, atëherë haje atë, por nëse e gjen të mbytur në ujë, mos e ha!”[21]

Transmetohet gjithashtu nga Ebu Thealebe se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse e qëllon gjahun dhe e gjen atë pas tre ditësh, duke qënë se në trupin e tij gjendet shigjeta jote, atëherë haje atë, përderisa nuk është qelbur!”[22]

D.m.th. që të lejohet ngrënia e gjahut të humbur dhe të cilin e gjen më pas, duhet të plotësohen dy kushte: Të gjesh në trupin e tij shigjetën tënde, apo gjurmën e saj duke qënë i sigurtë se është gjurma e shigjetës së tij. Nëse nuk është kështu, atëherë ka dyshim për lejimin e saj dhe nuk mund të vërtetohet lejimi. Kushti i dytë është që të mos gjesh në trupin e gjahut gjurmë tjetër përve asaj të shigjetës tënde, e cila mund t’a ketë vrarë. Për këtë dëshmon fjala e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që thotë: “Duke qënë se në trupin e tij nuk ka gjurmë tjetër përveç shigjetës tënde”

Transmetohet nga Adij ibën Hatem se ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut, ndodh që unë e qëlloj gjahun dhe e gjej atë pas një nate (a t’a ha atë)? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse e gjen shigjetën tënde në trupin e tij dhe nëse prej tij nuk ka ngrënë ndonjë kafshë grabitqare, atëherë ha prej tij!”[23]

Nëse e qëllon gjahun dhe ai bie në ujë apo rrëzohet nga një vend i lartë, ai nuk lejohet të hahet. Kjo nëse bie në ujë i cili e mbyt apo rrëzohet nga një vend prej të cilit përgjithësisht vritet. Por dijetarët janë kundërshtuar për rastin kur plagosja e gjahut nga gjuetari është vrasëse, pastaj ai bie në ujë, apo nga shkëmbi, kur dihet që vrasjen e ka shkaktuar gjuetari. Më e sakta dhe më e përafërta në këtë pikë është se në këtë rast lejohet ngrënia e gjahut, sepse dihet se kush e ka vrarë atë dhe ky është thelbi i çështjes.

Nëse qëllon një shpend në ajër, apo mbi pemë a në mal dhe ai bie mbi tokë dhe ngordh, ngrënia e tij është e lejuar. Kjo është fjala e Shafiut, Ebu Theurit dhe dijetarëve të opinionit (hanefive). Ndërsa imam Maliku thotë: Nuk lejohet, vetëm në rast se plagosja ka qënë vdekjeprurëse, ose ngordh para se të bierë mbi tokë.

Por ne themi se ai është gjah i cili bie nga plagosja dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, kështuqë duhet të lejohet ngrënia e tij.

Nëse gjuan me ushtë dhe e qëllon gjahun me majën e saj, ajo hahet, por nëse e qëllon me trupin e ushtës dhe ajo ngordh, nuk lejohet të hahet, sepse në këtë rast ajo është kafshë e vrarë me goditje dhe jo me gjë të mprehtë që t’i nxjerrë gjakun.

I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) u pyet për gjahun e vrarë me ushtë apo shtizë dhe ai tha: “Nëse e çan gjahun (dhe i nxjerr gjakun) atëherë haje dhe nëse e vret me trupin e ushtës (dhe kafsha ngordh nga forca goditëse dhe nuk i del gjak), ajo është kafshë e ngordhur nga goditja, prandaj mos e ha atë!”[24]

Të gjitha mjetet e tjera të gjuetisë kanë gjykim të njëjtë me ushtën; nëse e çajnë gjahun dhe i nxjerrin gjakun, mishi i tij lejohet dhe në të kundërt jo.

Nuk lejohet ngrënia e gjahut të atij që ka dalë nga Islami pasiqë ka qënë musliman, as ajo që ai ther, edhe nëse hyn në fenë e ehlil-kitab- atyre që u ka zbritur libër qiellor. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, ndërsa El-Euzai dhe Is’haku thonë: E therura e tij lejohet nëse ai hyn në fenë e çifutëve apo të krishterëve, sepse ai që miqëson një popull, është prej tyre.

Rregullat e therjes së kafshëve që u hahet mishi[25]

Nuk lejohet ngrënia e mishit të kafshës që i hahet mishi, përveç peshkut dhe karkalecit, veçse pasi të theret (ose të vritet në gjueti), sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالْدَّمُ وَلَحْمُ الْخِنْزِيرِ وَمَا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللّهِ بِهِ وَالْمُنْخَنِقَةُ وَالْمَوْقُوذَةُ وَالْمُتَرَدِّيَةُ وَالنَّطِيحَةُ وَمَا أَكَلَ السَّبُعُ إِلاَّ مَا ذَكَّيْتُمْ وَمَا ذُبِحَ عَلَى النُّصُبِ”

“Juve u është ndaluar e ngordhura (që nuk është therur), gjaku, mishi i derrit, mishi i atyre kafshëve që janë bërë kurban për të tjerë e jo për Allahun, mishi i kafshëve të mbytura, ose që kanë ngordhur nga goditja, apo nga rrëzimi a çjerrja me brirë dhe ajo që është kafshur nga egërsira nëse nuk e therni dot para se të ngordhë, si dhe mishi i atyre që janë therur në altarët e gurit si kurban për idhujt e krijesa të tjera.” [El-Maide: 3].

Ndërsa peshku dhe karkaleci lejohen të hahen pa i therur, sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Neve na është lejuar ngrënia e dy të ngordhtave dhe e dy gjakërave. Dy të ngordhtat janë peshku dhe karkaleci, ndërsa dy gjakërat janë mëlçia dhe shpretka.”[26]

Populli musliman është bashkuar në të njëjtin mendim se e ngordhura, përveç peshkut dhe karkalecit, është haram dhe se asnjë kafshë nuk lejohet të hahet pa u therur apo pa vrarë në gjueti, përveç peshkut dhe karkalecit.

Therja e peshkut nuk është e preferuar, vetëm nëse zgjat jeta e tij dhe në këtë rast ka dy mendime: Njëri thotë se preferohet therja e tij, si qetësim për të, ndërsa mendimi i dytë thotë se preferohet të lihet që të ngordhë vetë.

Peshku i zënë nga mexhusi (idhujtari) lejohet të hahet pa ndonjë dyshim, sepse peshku i ngordhur është hallall. Edhe peshku që gjendet brenda një peshku tjetur më të madh se ai, që të dy lejohet të hahen. Por nëse atij që është brenda i ka ndryshuar ngjyra, atëherë nuk lejohet të hahet, sepse ai është njësoj si jashtëqitja e tij.

Ndërsa peshqit e vegjël që skuqen apo piqen pa ia çarë barkun dhe pa i nxjerrë të brendshmet, për lejimin e tyre ka dy mendime: Njëri mendim thotë se ngrënia e tij nuk lejohet sepse jashtëqitja e tij është e papastër. Ndërsa mendimi tjetër thotë se lejohet, sepse kjo është diçka e bërë zakon. Edhe të parët më pas shkuan në lejimin e tyre.

Imam Shirazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më e preferuar është që therësi të jetë musliman. Nëse ai është idhujtar, atëherë shohim, nëse ai është murted (që ka dalë nga Islami pasiqë ka qënë musliman), apo idhujtar a mexhus, atëherë e therura e tij nuk lejohet, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَابَ حِلٌّ لَّكُمْ وَطَعَامُكُمْ حِلُّ لَّهُمْ”

“Ushqimet (mishi i bagëtive të therura e të lejuara në origjinë për ne) e ithtarëve të librave të parë (çifutët dhe të krishterët) janë të lejuara për ju dhe ushqimi juaj është i lejuar për ta.” [El-Maide: 5].

Ndërsa këta (idhujtarët dhe murtedët) nuk janë prej ithtarëve të librave të mëparshëm.

Nëse therësi është prej ithtarëve të librave të mëparshëm joarabë, e therura e tij lejohet, por nëse është prej të krishterëve arabë, të cilët janë fiset Behra, Tenuh dhe Tagleb, e therura e tyre nuk lejohet, për shkak të thënieve të përcjella nga disa prej sahabeve.

Më e preferuar është që therësi të jetë burr, sepse ai ka fuqi për të therur më shumë se gruaja, por nëse therësja është grua, nuk ka problem dhe lejohet. Keab ibën Malik (radiallahu anhu) ka përcjellë se: “Një robëreshë e tyre theu një gurë dhe theri një dele (që ishte duke ngordhur). Ai pyeti të Dërguarin  (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për ngrënien apo jo të saj dhe ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e urdhëroi që t’a hanin atë.”[27]  

Gjithashtu është e preferueshme që therësi të jetë i rritur, sepse ai është më i mundshëm për të therur, por nëse ther fëmija, e therura e tij lejohet të hahet. Transmetohet nga Ibën Abasi (radiallahu anhu) se ka thënë: “Kushdo që ther, qoftë mashkull apo femër, i madh apo i vogël, përderisa ai përmend Emrin e Allahut, e therura e tij lejohet të hahet.”

Ndërsa therja e të verbërit nuk është e preferuar, sepse ndoshta ai nuk e ther kafshën në vendin e duhur, por nëse ai ther, ngrënia e të therurës së tij lejohet, sepse ai nuk ka humbur veçse shikimin, gjë e cila nuk e bën të domosdoshme ndalimin e të therurës së tij.

Po kështu nuk është e preferuar therja e të dehurit dhe njeriut me të meta mendore, sepse atij nuk mund t’i zihet besë në gabimin në therje dhe në vrasjen e kafshës, por nëse ai ther, ajo lejohet të hahet, sepse ai nuk ka humbur gjatë therjes veçse qëllimin dhe perceptimin, gjë e cila nuk e bën të domosdoshme ndalimin e të therurës së tij, njësoj sikur të therte një dele duke menduar se po korr bar.”

Këtu kemi disa çështje për të parë:

Çështja e parë: Më e preferuar është që therësi të jetë musliman dhe është kusht që të jetë musliman ose prej ithtarëve të librave të mëparshëm (çifut ose i krishterë).

Çështja e dytë: E therura e gruas është e lejuar, pa asnjë kundërshtim, duke dëshmuar me hadithin e Keab ibën Malik të përmendur më sipër. Megjithëse që të threë burri është më mirë, për arsyen që përmendi autori. E therura e gruas është e lejuar, qoftë ajo grua e lirë apo robëreshë, e pastër apo me perioda, muslimane apo e krishterë.

Çështja e tretë: Më e preferuar është që therësi të jetë i rritur dhe me mendje të rregullt, por nëse ther fëmija që i dallon gjërat (gjashtë-shtatë vjeçar), e therura e tij lejohet të hahet dhe kjo është fjala e shumicës së dijetarëve dhe më e sakta.

Ndërsa për therjen e të dehurit dhe të sëmurit mendërisht ka kundërshtim dhe më e sakta është se ajo është e papëlqyer, por jo e ndaluar.

Çështja e katërt: E therura e të verbërit lejohet pa ndonjë kundërshtim, por ajo nuk është e preferuar

E therura e atij që nuk është bërë synet, është e lejuar sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Kjo, sepse Allahu i lartësuar thotë:

“فَكُلُواْ مِمَّا ذُكِرَ اسْمُ اللّهِ عَلَيْهِ”

“Hani nga ajo mbi të cilën është përmendur Emri i Allahut!” [El-En’am: 118].

Dhe sepse neve na është lejuar e therura e ithtarëve të librave të mëparshëm dhe sigurisht që në mesin e tyre ka të pa bërë synet, keshtuqë lejimi i të therurës së muslimanët të pabërë synet është më i përafërt.

E therura e hajdutit, rrëmbyesit dhe të gjithë atyre që therin kafshën e tjetrit me pa të drejtë dhe pa ose me lejen e tij, të gjitha këto janë të lejuara sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Ndërsa Tausi, Ikrima dhe Is’haku thonë: Ajo është e papëlqyer.

E therura e ithtarëve të librave të mëparshëm është e lejuar, e përmendin apo jo Emrin e Allahut, duke u bazuar në kuptimin e drejtpërdrejtë të Kur’anit të Ndershëm. Ky është medhhebi i shumicës së dijetarëve. Por nëse ata therin kurban për ndonjë idhull a diçka tjetër, atëherë nuk lejohet.

Atau thotë: Nëse i krishteri ther në emër të Isait (alejhis-selam), ha prej të therurës së tij, sepse Allahu e ka ditur që ata do t’a bëjnë këtë. Kjo është edhe fjala e Muxhahidit dhe Mekhulit.

Ndërsa Ebu Theuri thotë: Nëse përmendin Emrin e Allahut, hani, por nëse nuk e përmendin atë, mos hani!

Fjalë e tillë është përcjellë edhe nga Aliu, Ibën Umeri dhe Aisha (radiallahu anhum).

Ndërsa kurbanet që therin për kishat e tyre, nuk lejohet të hahen, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.

E therura e ithtarëve të librit në vendet që janë në luftë me vendin Islam, është e lejuar njësoj si e therura e tyre në vendin Islam. Për këtë nuk ka asnjë kundërshtim dhe Ibën el-Mundhir thotë se kjo është miratuar me ixhma- consensus të plotë.

E therura e atij që ka dal nga Islami pasiqë ka qënë musliman është haram. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, prej tyre Ebu Hanifja, Ahmedi, Ebu Jusufi, Muhamedi dhe Ebu Theuri. Ndërsa Eth-Theuri e ka konsideruar të papëlqyer. Ndërsa Is’haku thotë: Nëse del nga Islami dhe hyn në krishterizëm, e therura e tij lejohet.

E therura e çifutëve dhe e të krishterëve është e lejuar me tekst Kur’anor dhe me miratimin e të gjithë muslimanëve, përveç shij’ave të cilët thonë se e therura e tyre nuk lejohet, por ata nuk kondsiderohen në miratimin e popullit musliman.

Nëse gjejmë një dele të therur dhe nuk e dimë se kush e ka therur; nëse ajo gjendet në vendin e atyre, e therura e të cilëve nuk lejohet- si mexhusët e idhujtarët-, ajo nuk lejohet të hahet, qofshin ata të gjithë mexhusë, apo të përzierë me muslimanë, sepse këtu ekziston dyshimi dhe origjina është se ajo nuk lejohet. Në të kundërt, nëse aty ka vetëm muslimanë, ajo lejohet të hahet.

Imam Esh-Shirazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më e preferuar është që kafshën t’a therësh me thikë të mprehur mirë, sepse Shedad ibën Eus (radiallahu anhu) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu ka urdhëruar për mirë në çdo gjë, kështuqë kur të vrisni, vrisni mirë (në mënyrë të mirë) dhe kur të therni, therni mirë. Mpreheni mirë thikën dhe lehtësojani dhimbjet kafshës!”[28]

Nëse ther me gur të mprehtë, lejohet, duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Keab ibën Maliku për atë robëreshën që theu gurin dhe theri me të delen, si dhe në hadithin e transmetuar nga Rafi ibën Hadixh, se ai tha: O i Dërguari i Allahut, nesër presim të ndeshemi me armikun, por ne nuk kemi me vete thikë, a të therim (bagëtitë që do të hanë) me kallam? I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse i nxirret gjaku me çdo lloj mjeti dhe përmendet Emri Allahut, hajeni, përveç përdorimit të dhëmbëve dhe thonjëve. Ua them unë përse; sepse dhëmbi është kockë (eshtër), ndërsa thoi është thika me të cilën vrasin habeshitët (të cilët janë mosbesimtarë dhe nuk lejohet përngjasimi me ta).”[29]

Këtu janë disa çështje për t’u parë:

Çështja e parë: Mprehja e thikës për therjen e kafshës është sunet dhe preferohet që ajo të mëshohet me forcë dhe të lëvizet në mënyrë që t’ia lehtësosh therjen kafshës. Ndërsa therja me thikë të pamprehur është e papëlqyer, por e therura me të lejohet të hahet.

Ibën El-Mundhir ka përcjellë se të mprehurit e thikës në sy të kafshës është e papëlqyer, po kështu edhe therja e kafshës në sy të kafshëve të tjera.

Dijetarët thonë: Preferohet që kafsha që do të theret, të merret me butësi për në vendin e therjes dhe, t’i jepet ujë para therjes dhe të shtrihet përtokë.

Çështja e dytë: Imam Shafiu dhe pasuesit e medhhebit të tij thonë: Therja me thonjë, dhëmbë apo ndonjë eshtër tjetër, nuk quhet. Ndërsa me të gjitha mjetet e tjera të mprehta, therja konsiderohet e rregullt, qofshin ato prej hekuri, si shpata, thika, shigjeta e ushta, apo prej plumbi, bakri, ari, argjendi, druri të mprehur, shkopi, qelqi, guri etj. Për lejimin e therjes me këto nuk ka kundërshtim tek ne.

Ndërsa therja me thonjë dhe dhëmbë, nuk lejohet në asnjë mënyrë, qofshin ato të njerëzve apo të kafshëve, qofshin të ngjitura me trupin apo të ndara nga ai.

Çështja e tretë: Nëse e vret kafshën me diçka të rëndë, duke e goditur apo mbytur atë, ajo nuk lejohet të hahet, sepse është e domosdoshme që kafsha të çahet dhe t’i dalë gjaku.

Thënia Bismilah kur ther kafshën[30]

Thënia Bismilah është kusht që të lejohet ngrënia e të therurës, por nëse harron, ngrënia e saj lejohet. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve. Prej atyre që e kanë lejuar ngrënien e kafshës së therur pa Bismilah nga harresa, janë Ibën Abasi, Ebu Hurejra, Atai, Maliku, Ebu Hanife, Eth-Theuri, Is’haku, Tausi, Seid ibën El-Musejjib, El-Hasen el-Basri, Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla etj.

Nga Ahmedi janë përcjellë disa mendime, njëri prej tyre është se thënia Bismilah në therjen e kafshës është mustehab– e preferuar dhe jo e detyrueshme, me vetëdije apo nga harresa. Ky është edhe medhhebi i imam Shafiut[31] i cili thotë:

“Thënia Bismilah është mustehab- e preferuar në therje apo kur qëllon gjahun a lëshon qenin e gjahut dhe nëse nuk e thua atë me vetëdije apo nga harresa, e therura lejohet të hahet. Por lënia e saj me vetëdije është e papëlqyer sipas mendimit më të saktë dhe nuk është haram. Kjo fjalë është përcjellë edhe nga Ibën Abasi, Ebu Hurejra dhe Atai.”[32]

Imam Ahmedi thotë: Domethënia e Fjalës së Allahut:

“و لا تأكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه”

“Dhe mos hani nga ajo mbi të cilën nuk është përmendur Emri i Allahut!” [El-En’am: 121]. D.m.th: mos hani të ngordhurën. Kjo është përmendur edhe nga Ibën Abasi (radiallahu anhu).[33]

Taberiu në komentimin e këtij ajeti thotë: D.m.th: O ju besimtarë, mos hani nga mishi i kafshës së ngordhur që nuk e keni therur ju apo që nuk e ka therur dikush që e njëson Allahun me një nga Fetë e zbritura në Librat Qiellorë, sepse ajo është haram për ju. As atë që është therur si kurban për dikë tjetër përveç Allahut prej kurbaneve që therin politeistët për idhujt e tyre. Kjo është fisk –gjynah i madh dhe shthurje.

Ndërsa nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë se ka thënë: Politeistët i thanë muslimanëve: Atë që e vret Allahu ju nuk e hani, ndërsa atë që e vrisni ju, e hani?! Atëherë Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ajetin: “Dhe mos hani nga ajo mbi të cilën nuk është përmendur Emri i Allahut!” [El-En’am: 121].

Megjithatë, thënia më e saktë dhe e bazuar në medhhebin hanbeli është se thënia Bismilah kur ther kafshën është kusht për lejimin e ngrënies së saj, por nëse e harron, lejohet.

Argumentet e atyre që thonë se thënia Bismilah kur ther kafshën apo gjahun është kusht për lejimin e saj:

Fjala e Allahut të Lartësuar:

“و لا تأكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه”

“Dhe mos hani nga ajo mbi të cilën nuk është përmendur Emri i Allahut!” [El-En’am: 121].

Hadithi i transmetuar nga Enesi (radiallahu anhu) se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur të lëshosh qenin tënd të mësuar, përmend Emrin e Allahut dhe ha prej asaj që ai kap për ty!”

Dhe në një transmetim tjetër thotë: “Nëse me të përziehen edhe qenë të tjerë, atëherë mos e ha (gjahun), sepse ti ke përmendur Emrin e Allahut për lëshimin e qenit tënd dhe nuk e ke bërë këtë për të tjerët!”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Kur të lëshosh qenin tënd, përmend Emrin e Allahut!” apo “Kur të gjuash shigjetën tënde, përmend Allahun!”

Të gjitha këto transmetime i ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

Argumentet e atyre që e konsiderojnë të preferuar dhe jo të kushtëzuar thënien Bismilah në therje apo gjueti:

Fjala e Allahut të Lartësuar:

“وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَابَ حِلٌّ لَّكُمْ وَطَعَامُكُمْ حِلُّ لَّهُمْ”

“Ushqimet (mishi i bagëtive të therura e të lejuara në origjinë për ne) e ithtarëve të librave të parë (çifutët dhe të krishterët) janë të lejuara për ju dhe ushqimi juaj është i lejuar për ta.” [El-Maide: 5].

Allahu e ka lejuar ngrënien e të therurave të tyre dhe nuk e ka kushtëzuar thënien Bismilah.

Hadithi i transmetuar nga Aisha (radiallahu anha) se disa prej sahabeve i thanë të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “O i Dërguari i Allahut, këtu tek ne gjenden disa njerëz (fise) të cilët kanë vetëm pak kohë që kanë dalë nga shirku. Ata na sjellin mish për të cilin nuk dimë nëse e përmendin emrin e Allahut mbi të apo jo (a të hamë prej tij)?

Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: Përmendeni ju Emrin e Allahut dhe  hani!”[34]

Dijetarët thonë: Fjala e tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Përmendeni ju Emrin e Allahut dhe  hani!” Kjo përmendje e Emrit të Allahut është ajo që thuhet para çdo ngrënieje apo pirjeje dhe ky hadith është baza dhe mbështetja në këtë çështje.

Ndërsa për ajetin me të cilin argumentohen ata që e kushtëzojnë thënien Bismilah, thuhet se ai ka për qëllim kafshët që theren për idhujt, siç thotë Allahu në ajetin tjetër: “Si dhe mishi i atyre që janë therur në altarët e gurit si kurban për idhujt e krijesa të tjera… këto janë fisk-shthurje dhe të dënueshme.” [El-Maide: 3].

Për këtë shkak, Allahu thotë:

“و لا تأكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه”

“Dhe mos hani nga ajo mbi të cilën nuk është përmendur Emri i Allahut, sepse ajo është fisk- shthurje!” [El-En’am: 121].

Por i gjithë populli musliman është bashkuar në fjalën se kush ha prej kafshës së therur pa Bismilah, ai nuk është fasik- i shthurur.[35]

-Er-Rafii thotë: Dije se therja për atë që adhuron dhe me emrin e atij që adhuron, është njësoj si bërja sexhde atij dhe që të dyja këto janë prej llojeve të madhërimit dhe adhurimit të veçantë për Allahun e Lartëmadhëruar, i Cili e meriton adhurimin dhe kush e therr për dikë tjetër përveç Tij, qoftë për ndonjë kafshë apo send si idhujt etj, duke e bërë therjen në mënyrë madhërimi e adhurimi, ngrënia e asaj të therure nuk lejohet dhe vepra e tij është kufër, njësoj si ai që i bën sexhde dikujt tjetër përveç Allahut.

Mënyra e therjes së kafshëve

Imam Esh-Shirazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë:[36]

“Është e preferuar që devetë të theren duke qënë të ngritura në këmbë, siç transmetohet nga Ibën Umer (radiallahu anhu) se ai pa një burr që po shtrinte një deve për t’a bërë kurban, ndërsa ai i tha: “There në këmbë, kështë është suneti i Ebu El-kasim (sal-lallahu alejhi ue sel-lem)!”[37]  

Ndërsa lopët dhe delet theren të shtrira, siç është përcjellë nga Enesi (radiallahu anhu) se: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) theri dy desh të mëdhenj me brirë, i theri me dorën e tij dhe e vendosi këmbën e tij mbi trupin e tyre, duke thënë Bismilah dhe Allahu ekber.[38]

Edhe lopët theren njësoj si delet, kështuqë edhe ato duhen shtrirë kur theren.

E preferueshme është që kur prehu të theret, të kthehet nga Kibla dhe preferohet që të thuhet Bismilah në fillim të therjes, siç transmeton Adij ibën Hatim se ka thënë: Pyeta të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për gjahun dhe ai tha: Kur të gjuash shigjetën tënde, përmend Emrin e Allahut dhe ha prej gjahut!”[39]

Por nëse nuk thua Bismilah, e therura nuk bëhet haram, sepse Aisha (radiallahu anhu) transmeton se disa njerëz thanë: O i Dërguari i Allahut, disa njerëz (fise) prej beduinëve sjellin mish për therjen e të cilit ne nuk e dimë nëse e kanë përmendur Emrin e Allahut apo jo? I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Përmendni Emrin e Allahut të Lartësuar dhe hani (prej tij)!”[40]

– Është e preferuar që kafshës ti prehet faringu (fyti), ezofagu (kapërcelli) dhe damari i qafës, sepse kjo është më lehtësuese dhe më mirë për kafshën.

Por nëse mjaftohesh me prerjen e faringut dhe ezofagut, therja quhet e saktë, sepse faringu është kanali i frymëmarrjes dhe ezofagu është kanali i ushqimit, kështuqë shpirti nuk mund të qëndrojë me prerjen e tyre.

– Është e preferuar që devetë të theren për së gjati, nga gjoksi deri të gurmazi, ndërsa lopët dhe delet të theren për së gjëri, nga fyti.

Nëse ndodh e kundërta dhe e ther lopën për së gjati, ndërsa devenë për së gjëri, kjo lejohet, sepse në të dyja rast kafsha theret pa i shkaktuar vuajtje asaj.

– Nuk është e pëlqyeshme që të zbulohet koka e kafshës duke e tepruar në therje, sepse kjo i shton vuajtjet kafshës, por nëse e bën këtë, mishi i kafshës nuk bëhet haram, sepse kjo ndodh pas therjes së saj.

– Nëse e ther kafshën nga qafa dhe thika arrin deri tek faringu dhe ezofagu para se t’i dalë shpirti kafshës, mishi i saj është i lejuar, sepse therja e konsideruar ka ndodhur kur kafsha ka qënë e gjallë, ndërsa nëse thika arrin tek faringu dhe ezofagu pasi që kafshës t’i ketë dalë shpirti, apo kur t’i ketë ngelur vetëm lëvizja e dhënies së shpirtit, atëherë ajo nuk lejohet, sepse ka ngordhur para se të theret.

– Nëse ujku çan një dele dhe bariu e ther atë para se të ngordhë dhe duke qënë se ka ende jetë të qëndrueshme, ajo lejohet të hahet, por nëse asaj nuk i ka ngelur jetë e qëndrueshme dhe është duke i dalë shpirti, atëherë nuk lejohet të hahet edhe nëse theret, sepse therja është bërë pasi të ketë ngordhur dhe sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i ka thënë Ebu Thealebe el-Hasheni: “Nëse qeni yt t’a kthen ty delen tënde dhe nëse ti e ke përmendur Emrin e Allahut kur e ke lëshuar atë, pastaj arrin që t’a therësh atë, there dhe haje, por nëse nuk arrin t’a therësh, atëherë mos e ha!”[41]

– Nuk është e pëlqyeshme që kur të therësh kafshën të thyesh qafën e saj dhe as t’a rrjepësh para se t’i ftohet trupi, siç transmetohet se El-Ferasifa i tha Umerit (radiallahu anhu): Ju hani disa ushqime të cilat ne nuk i hamë. Umeri i tha: Cilat janë ato ushqime, O Ebu Hasan? Ai tha: Ju i ngutni shpirtrat para se të dalin.

Atëherë Umeri (radiallahu anhu) urdhëroi që dikush të thërrasë në mesin e njerëzve se therja bëhet në fyt dhe gurmaz dhe të mos e ngutin nxjerrjen e shpirtit para kohës së vet.”[42]

Medhhebet e dijetarëve në lidhje me atë që është kusht të prehet nga kafsha që therja të konsiderohet e saktë[43]

Në medhhebin e shafive, kusht për therjen e saktë është prerja e faringut dhe ezofagut plotësisht, ndërsa prerja e damarëve të qafës është sunet.

Kjo është edhe fjala më e saktë nga dy transmetimet nga imam Ahmedi.

Ibën El-Mundhir thotë: Dijetarët janë bashkuar në mendimin se nëse e pret kafshën me mjet të lejuar për therjen e saj, përmend Emrin e Allahut dhe pret faringun, ezofagun dhe damarët e qafës, dhe del gjaku, kështu therja është plotësuar e rregullt dhe e therura lejohet të hahet.

Por dijetarët janë kundërshtuar nëse pritet nje pjesë e këtyre dhe lihet pa prerë pjesa tjetër: Imam Shafiu thotë: Kusht është prerja e faringut dhe ezofagut, ndërsa prerja e damarëve të qafës është e pëlqyeshme.

Lejthi dhe Daudi thonë: Kusht është prerja e të gjitha atyre. Këtë ka zgjedhur edhe Ibën El-Mundhir.

Ebu Hanife thotë: Nëse priten tre nga katër të konsiderueshmet, lejohet. Ato katër janë faringu, ezofagu dhe dy damarët e qafës. Ndërsa Muhamed ibën El-Hasen thotë: Nëse pritet pjesa më e madhe e çdonjërës nga të katërtat, lejohet dhe përndryshe, jo.

Imam Maliku thotë: Kusht është prerja e faringut dhe dy damarëve të qafës, ndërsa prerja e ezofagut nuk është kusht.

– Nëse e ther delen dhe e pret nga qafa, ajo lejohet të hahet nëse thika arrin tek faringu dhe ezofagu para daljes së shpirtit të kafshës, në të kundërt nuk lejohet.

Ndërsa Maliku dhe Daudi thonë: Nuk lejohet në asnjë mënyrë.

Nga imam Ahmedi janë përcjellë dy mendime; njëri thotë se lejohet dhe tjetri thotë se nuk lejohet nëse e bën me qëllim.

Er-Razi el-hanefi thotë: Nëse kafshës i del shpirti pas prerjes së katër venave, lejohet dhe në të kundërt, jo.

Ibën El-Mundhir ka përcjellë nga Esh-Sheabi, Eth-Theuri, Shafiu, Ebu Hanife, Is’haku, Ebu Theuri dhe Muhamedi, se e therura nga qafa është e lejuar që të hahet. Ndërsa nga Ibën El-Musejib dhe Ahmedi ai ka përcjellë se ata e kanë ndaluar këtë.

– Nëse ia heq kokën kafshës gjatë therjes, ajo lejohet të hahet nëse është therur sipas therjes së konsiderueshme dhe koka i pritet pas plotësimit të therjes. Kjo fjalë është përcjellë edhe nga Ali ibën Ebi Talib, Ibën Umer, Imran ibën Husajn, Atai, El-Hasen el-Basri, Esh-Sheabi, En-Nah’ij, Ez-Zuhri, Ebu Hanife, Is’haku, Ebu Theuri dhe Muhamedi.

Ndërsa Ibën Sirin dhe Nafiu nuk e kanë pëlqyer atë (e kanë ndaluar).

Ndërsa imam Maliku thotë: Nëse këtë e bën me qëllim, nuk lejohet të hahet.

Duhet të bëhet e qartë se këputja e kokës së shpezëve dhe mostherja e tyre është e ndaluar dhe e bën haram ngrënien e mishit të tyre.

– Nëse e ther delen dhe e ngut daljen e shpirtit duke e futur thikën thellë deri në palcën e shtyllës kurrizore të lidhur me trutë, kjo është e papëlqyer por e therura është e lejuar.

Ibën El-Mundhir thotë: Ibën Umer ka thënë se kjo nuk lejohet. Kështu ka thënë edhe Nafiu, ndërsa Is’haku e ka konsideruar të papëlqyer.

Ndërsa Maliku thotë: Nuk më pëlqen që kjo të bëhet me qëllim.

Disa dijetarë e kanë konsideruar të papëlqyer këtë vepër, por e kanë lejuar ngrënien e të therurës. Kjo është edhe fjala e En-Nah’i, Ez-Zuhri, Shafiut, Ebu Hanifes, Ahmedit dhe Ebu Theurit.

Ibën El-Mundhir thotë: Fjalën e këtyre them edhe unë. Thotë: Ndërsa ata që e ndalojnë ngrënien e saj pas therjes, nuk kanë argument.

– Është e preferuar që lopët dhe delet të theren të shtrira, ndërsa devetë theren duke qënë më këmbë dhe me këmbën e majtë të përparme të lidhur. Kjo është fjala e të gjithë dijetarëve përveç Eth-Theurit dhe Ebu Hanifes, të cilët thonë: Therja e tyre në këmbë apo të ulura, është njësoj dhe nuk ka ndonjë preferencë për këtë.

Therja e kafshës së butë në rast se egërsohet

Imam Esh-Shirazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Nëse kafsha e butë egërsohet apo shpëton dhe ikën me vrap dhe bëhet e pamundur therja e saj nga fyti, atëherë therja e saj bëhet nga cilado pjesë e trupit që mund të goditet prej saj (por duke e çarë dhe nxjerrë gjakun), siç ka përcjellë Rafiu ibën Hadixh se ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në një luftë dhe njerëzit zunë disa bagëti dhe deve (plaçkë lufte). Një nga devetë shpëtoi dhe iku me vrap, ndërsa dikush i gjuajti me shigjetë me të cilën Allahu e bllokoi atë (e vrau). Atëherë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Këto kafshë të buta kanë disa dukuri si të kafshëve të egra, kështuqë nëse ato iu shpëtojnë, veproni me to kështu si me këtë!”[44]

Ndërsa Ibën Abasi (radiallahu anhu) ka thënë: Kafsha që të shpëton dhe nuk e ther dot nga fyti, konsideroje atë në vend të gjahut!” Kjo sepse therja e saj nga fyti bëhet e pamundur, kështuqë konsiderohet njësoj si gjahu (kudo që t’a çashë nga pjesët e trupit dhe i del gjaku, lejohet).

E kundërta ndodh me gjahun nëse ai zbutet, në këtë rast ai theret njësoj si kafsha e butë.[45]

Therja e qengjit në bark është bërë me therjen e nënës së tij[46]

Nëse kafsha të cilës i hahet mishi theret dhe në barkun e saj gjendet një këlysh i ngordhur, ngrënia e tij lejohet, sepse është përcjellë nga Ebu Seid El-Hudri (radiallahu anhu) se ka thënë: Thamë: O i Dërguari i Allahut, ndodh që ne të therim devenë, apo lopën a delen dhe në barkun e saj gjejmë këlyshin e saj. A t’a hamë atë apo mos t’a hamë? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse doni, hajeni, sepse therja e tij është bërë me therjen e nënës së tij!”[47]

Dhe sepse therja e këlyshit është e pamundur, kështuqë therja e nënës së tij është në vend të therjes së tij.

Por nëse këlyshi del i gjallë dhe therja e tij është e mundshme, në këtë rast ai nuk lejohet të hahet pa e therur, por nëse ngordh para se të mund t’a therësh, lejohet.

Kafshët që nuk lejohet t’u hahet mishi[48]

Kafshët e ndaluara janë ato që ka përmendur Allahun në Librin e Tij ku thotë:

“Të ndaluara për ju janë: bagëtitë e ngordhura (të patherura), gjaku, mishi i derrit, mishi i atyre kafshëve që janë bërë kurban për të tjerë e jo për Allahun, mishi i kafshëve të mbytura, ose që kanë ngordhur nga goditja (me diçka të rëndë dhe nuk i ka dalë gjaku), nga rrëzimi, nga çjerrja me brirë dhe ajo që është kafshuar nga egërsira nëse nuk e therni dot para se të ngordhë, si edhe mishi i atyre kafshëve që janë therur në Nusub- altarë guri ku bëhet kurban në emër të idhujve etj.” [El-Maide: 3].

Ndërsa ato kafshë që arabët e kohës kur zbriti Kur’ani i konsideronin të mira e të pastërta, ato janë hallall dhe ato që ata i konsideronin të ndyta, ato janë haram, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai u lejon atyre të mirat e të pastërtat dhe u ndalon të neveritshmet e të ndytat.” [El-Earaf: 157].

Ndërsa kafshëve që nuk kanë pas qënë njohur nga arabët e Hixhazit (Arabisë Saudite të sotme), ato u bashkangjiten më të ngjashmeve me to dhe nëse nuk ka të ngjashme me to, ato janë të lejuara për shkak të përfshirjes së tyre në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Thuaj: Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua ndonjë gjë të ndaluar për ngrënie për atë që dëshiron të hajë prej tyre, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur (në therjen e tyre) ose mishit të derrit, pasi ky i fundit është vërtet i pistë, apo ndonjë kafshë e bërë kurban për dikë tjetër përveç Allahut.” [El-En-Aam].

Dhe sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ato gjëra për të cilat Allahu ka heshtur, ato janë prej atyre që Ai ua ka falur e lejuar ato.”[49]

Prej gjërave të neveritshme e të ndyta janë kandrat e insektet, si krimbat, kacabujtë, brumbujt, minjtë, kameleonët, hardhucat apo hardhjet, akrepat, gjarpërinjtë etj.

Kjo është edhe fjala e imam Ebu Hanifes dhe Shafiut. Ndërsa imam Maliku, Ibën Ebi Lejla dhe Euzai i kanë konsideruar të lejuara të gjitha këto, veçse imam Maliku thotë se gjarpri është i lejuar të hahet, vetëm nëse theret. Këta janë argumentuar me kuptimin e përgjithshëm të teksteve të lejimit.

Por ne argumentohemi me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe u ndalon atyre të neveritshmet e të ndytat.” [El-Earaf: 157].

Dhe me fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që thotë: “Pesë të ndytë vriten në vendet e lejuara apo vendet e ndaluara (të shenjta): akrepi, miu, sorra, qifti dhe qeni i tërbuar.”[50] Ndërsa në një transmetim tjetër, në vend të miut është gjarpëri.

Kështuqë, nëse këto do të ishin prej gjahut të lejuar, vrasja e tyre për atë që është në haxh nuk do të ishte e lejuar, ndërsa Allahu thotë: “Mos e vrisni gjahun përderisa jeni muhrim-me rroben e haxhit apo të umras!” [El-Maide: 95].

Ndërsa nga suneti i të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) është ndaluar mishi i gomarit të butë. Imam Ahmedi thotë: Pesëmbëdhjetë prej sahabeve të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e kanë konsideruar të urryer (të ndaluar) mishin e gomarit të butë.

Ndërsa Ibën Abdul-Berr thotë: Nuk ka kundërshtim në mesin e muslimanëve sot se mishi i gomarit të butë është haram.

Argumenti për këtë është hadithi i transmetuar nga Xhabiri (radiallahu anhu) se: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në ditën e luftës së Hajberit ndaloi nga ngrënia e mishit të gomerëve të butë dhe lejoi që të hahej mishi i kalit.”[51]

Këtë ndalim e ka përcjellë nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) një numër i konsiderueshëm prej sahabeve.

Edhe mishi i mushkës është i ndaluar, sepse ajo rrjedh nga gomari, kështuqë kanë të njëjtin gjykim. Katade thotë: Mushka nuk është tjetër veçse diç prej gomarit. Ndërsa nga Xhabiri (radiallahu anhu) është përcjellë se ka thënë: “Në ditën e luftës së Hajberit ne therëm kuaj, mushka e gomerë, ndërsa i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) na ndaloi nga ngrënia e mishit të mushkës dhe gomarit, por nuk na ndaloi nga ngrënia e mishit të kalit.”[52]

E ndaluar është gjithashtu çdo kafshë grabitqare që e sulmon gjahun me dhëmbët e saj. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, ndërsa Esh-Sheabi, Seid ibën Xhubejr dhe disa dijetarë prej malikive thonë se ato janë të lejuara, duke u mbështetur në kuptimin e përgjithshëm të ajetit: “Thuaj: Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua ndonjë gjë të ndaluar për ngrënie për atë që dëshiron të hajë prej tyre, përveç kafshëve të ngordhura…”

Por ne kemi argument të veçantë në lidhje me këto kafshë dhe ai është hadithi i transmetuar nga Ebu Thealebe el-Husheni, ka thënë: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka ndaluar çdo kafshë grabitqare që e kap gjahun me dhëmbë.” [53]

Në këtë hadith hyn luani, tigri, leopardi, ujku, qeni, derri etj.

As mishi i majmunit nuk lejohet. Këtë fjalë ka thënë edhe Ibën Umeri, Atai, Muxhahidi, Makhuli dhe Haseni. Ata nuk e kanë lejuar as shitjen e tij.

Ibën Abdul-Berr thotë: Nuk di të ketë kundërshtim në mesin e muslimanëve se majmuni nuk hahet dhe nuk lejohet të shitet.

Po kështu çakalli dhe nuselala janë të ndaluara që të hahen. Është pyetur imam Ahmedi për çakallin dhe nuselalen dhe ai ka thënë: Çdo kafshë që sulmon me dhëmbët e saj të mprehtë, ajo është prej egërsirave. Kjo është edhe fjala e Ebu Hanifes dhe shokëve të tij.

Ndërsa imam Shafiu thotë: Mishi i nuselalës është e lejuar, sepse ajo nuk ka dhëmbë të fortë.

Ndërsa për dhelprën ka dy mendime, por transmetimet më të shumta nga Ahmedi thonë se ajo është haram. Kjo është edhe fjala e Ebu Hurejrës, Malikut dhe Ebu Hanifes, sepse ajo është prej kafshëve të egra dhe përfshihet në ndalim.

Elefanti është i ndaluar të hahet, sepse siç thotë imam Ahmedi, ai nuk është prej ushqimit të muslimanëve dhe sepse përfshihet në ndalim.

Ndërsa për ariun duhet parë; nëse ai ka dhëmbë me të cilat sulmon, atëherë është i ndaluar dhe në të kundërt, ai është i lejuar. Kjo është fjala e imam Ahmedit, ndërsa shokët e Ebu Hanifes thonë se ai është kafshë e egër, kështuqë nuk lejohet.

Por ne themi se origjina në këtë temë është lejimi, kështuqë nëse nuk vërtetohet ekzistenca e provës ndaluese, ai mbetet në origjinën e tij dhe përfshihet në tekstet lejuese.

E ndaluar gjithashtu është çdo shpend grabitqar me kthetra, zogu që gjuan dhe e kap gjahun me kthetrat e tij. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, prej të cilëve edhe imam Shafiu, Eth-Theuri dhe hanefitë.

Ndërsa imam Maliku, Lejthi, Euzai dhe Jahja ibën Seid thonë se asnjë lloj shpendi nuk është i ndaluar, duke u argumentuar me vështrimin e përgjithshëm në tekstet lejuese.

Por ne kemi argument hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi (radiallahu anhu) se: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka bërë të ndaluar çdo kafshë të egër me dhëmbë të mprehtë dhe çdo shpend grabitqar me kthetra.”[54]

Në këtë ndalim përfshihet gjithashtu fajkoi, qifti, gjeraqina apo petriti e të ngjshme me to.

Po kështu edhe babili apo bregca dhe lakuriqi i natës janë të ndaluara. Kjo sepse ato janë të nëveritshme për njeriun dhe të ndyta.

Të gjitha kafshët dhe shpendët e tjera, duke përjushtuar këto që përmendëm dhe të ngjashmet me to, janë të lejuara për shkak të përfshirjes së tyre në tekstet e përgjithshme të lejimit.

Kështu, devetë, lopët dhe bagëtitë e imëta e imëta janë të lejuara, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Të lejuara për ju për të ngrënë janë të gjitha bagëtitë.” [El-Maide: 1].

Ndërsa prej gjahut lejohen antilopa, gomari i egër, lopa e egër dhe të gjitha këto lloj kafshësh që nuk janë kafshë të buta.

Po kështu, mishi i kuajve është i lejuar.

Mishi i lepurit është i lejuar dhe atë e ka ngrënë edhe Sead ibën Ebi Vekas (radiallahu anhu), madje edhe i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), siç është përcjellë nga Enes ibën Malik në një hadith muttefekun alejhi.

Po ashtu edhe xherba është e lejuar sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, ndërsa Ebu Hanife thotë se aja është e ndaluar.

Ndërsa prej shpendëve të lejuara që nuk janë përmendur më sipër janë edhe pulat. Ebu Musa el-Eshari (radiallahu anhu) thotë: “Kam parë të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) duke ngrënë mish pule.”[55]

Po kështu edhe gala apo stërqorka dhe sorra e fushave janë të lejuara që të hahen sepse ato ushqehen me të mbjella e farëra.

Po kështu të gjithë zogjtë janë të lejuar. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqa dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të!) ka thënë: “Çdonjeri që vret një zog apo më tepër me pa të drejtë, Allahu do ta marrë atë në llogari për atë zog.” Dikush tha: O i Dërguari i Allahut, cila është e drejta e tij? Ai (Paqa dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të!) tha: “E drejta e tij është që ta therësh e ta hashë, dhe jo ti këpusësh kokën e ta flakësh.”[56]

Po ashtu lejohen të gjitha llojet e pëllumbave, mjelma, lejleku dhe të gjithë shpendët e ujit, pa ndonjë kundërshtim në mesin e dijetarëve.

Papëlqyeshmëria e ngrënies së mishit të kafshëve dhe shpezëve që ushqehen me ndytësira[57]

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Unë e konsideroj të papëlqyeshme ngrënien e mishit të kafshëve a shpezëve që ushqehen me ndytësira e jashtëqitje dhe nëse pjesa më e madhe e ushqimit të tyre është prej ndytësirave, atëherë mishi dhe qumështi i tyre është haram, ndërsa për vezët e tyre ka dy mendime.

Por nëse shumica e ushqimit të tyre është i pastër, mishi dhe qumështi i tyre është i lejuar.

El-Lejth thotë: Selefët e konsideronin të urryer mishin e kafshës që ushqehet vetëm me ndytësira e jashtëqitje.

Ibën Ebi Musa thotë: Për mishin e kafshës që ushqehet me ndytësira ka dy mendime; njëri thotë se ai është haram dhe tjetri thotë se ai është i papëlqyeshëm, por jo haram.

Ebu Hanifeja e ka konsideruar të papëlqyeshëm mishin e këtyre kafshëve dhe që të hahet duhet që të mbahet mbyllur për disa kohë.

Argument për ndalimin e ngrënies së mishit të këtyre kafshëve është hadithi i transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqa dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të!) e ka bërë të ndaluar mishin e kafshëve që ushqehen me ndytësira dhe qumështin e tyre.”[58]

Kjo sepse mishi i saj zhvillohet me ndytësira, kështuqë ai është i ndytë.

Por kjo mospëlqyeshmëri rrëzohet nëse kafsha apo shpeza mbahet mbyllur, me një kundërshtim në mesin e dijetarëve në lidhje me kohën që duhet të mbahet e mbyllur, ndërsa që ajo pastrohet duke u mbajtur mbyllur, nuk ka asnjë lloj kundërshtimi.

Nga Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) është përcjellë se ajo mbahet mbyllur tre ditë rresht, qoftë kafshë apo shpezë. Kështu vepronte edhe Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) [59]

Por një mendim tjetër thotë se pula që ushqehet me ndytësira duhet të mbahet mbyllur tre ditë, ndërsa lopa dhe deveja e tillë duhet të mbahen mbyllur dyzet ditë.

Kjo është edhe fjala e Atait për lopën dhe devenë, sepse ato janë me trup më të madh dhe ndikimi i ushqimit të tyre zgjat më tepër se te shpezët e kafshët e vogla.

Po kështu edhe të mbjellat e vaditura apo të plehërosura me jashtëqitje njerëzish, është e papëlqyeshme që të hahen. Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve, prej të cilëve është imam Ebu Hanife dhe Shafiu, duke u bazuar në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Ne i jepnim tokat e të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për t’i kultivuar dhe u vinim kusht kultivuesëve që të mos i plehërosnin ato me jashtëqitje (fekale) njerëzish.”[60]

Ndërsa nga Sead ibën Ebi Vekas (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë se ai i plehëroste tokat e tij me jashtëqitje njerëzish.[61]  

Kush detyrohet që të hajë të ngordhtën, të mjaftohet me aq sa të shtyjë vdekjen[62]

Dijetarët kanë rënë dakord unanimisht për moslejimin e ngrënies së të ngordhtës në rastet normale dhe lejimin e saj në rast domosdoshmërie. Po kështu edhe për të gjitha të ndaluarat e tjera. Origjina e këtij unanimi është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Ai ju ka ndaluar juve vetëm kafshët e ngordhura, gjakun, mishin e derrit dhe mishin e kafshëve të bëra kurban për të tjerë përveç Allahut. Por nëse dikush detyrohet nga nevoja, pa mosbindje të qëllimshme dhe pa i kaluar kufijtë e caktuar, kjo nuk përbën ndonjë gjynah për të. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [El-Bekare: 173].

Kështuqë për mbajtjen e shpirtit gjallë dhe shtyrjen e vdekjes lejohet që të hahen të ndaluarat, dhe kjo unanimisht. Por teprimi mbi të nevojshmen është gjithashtu unanimisht i ndaluar.

Ndërsa për ngrënien derisa të ngopesh ka dy mendime në lidhje me lejimin apo ndalimin e saj. Ebu Hanifja, Maliku në njërën prej dy fjalëve të tij në këtë çështje dhe Shafiu në njërën prej dy fjalëve të tij gjithashtu, thonë se të ngopurit në këtë rast nuk lejohet, sepse ajeti argumenton për ndalimin e të ngordhurës dhe ka përjashtuar rastin e detyrimit, kështuqë nëse detyrimi rrëzohet, atëherë nuk lejohet që të vazhdosh të hash prej të ngordhurës.

Mendimi i dytë është se lejohet të ngopesh me mishin e të ngordhurës në rastin në fjalë dhe këtë ka zgjedhur edhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Argument për këtë është hadithi i përcjellë nga Xhabir ibën Semura se një burr zbriti me shtëpi në el-Hara (një vend në periferi të Medines) bashkë me familjen dhe fëmijët e tij. Një burr i tha atij: Mua më ka humbur një deve dhe nëse e gjen mbaje dhe ma ruaj. Ai e gjeti atë, por nuk po gjente të zotin e saj. Deveja u sëmur dhe  gruaja e tij i tha: There atë (para se të ngordhë). Por ai refuzoi dhe deveja ngordhi. Ajo i tha: Ripe që t’i marrim dhjamin e mishin dhe t’i hamë. Ai tha: Nuk e bëj këtë derisa të pyes të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Shkoi tek i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe e pyeti, ndërsa ai tha: “A posedon gjë (ushqime) që të bën t’a bën atë deve të panevoitur?”

Ai tha: Jo. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë hajeni atë!”

Thotë: Më pas vjen i zoti i saj dhe ky i trgoi se si ndodhi, ndërsa ai i tha: Përse nuk e there? Ai tha: Kisha turp prej teje.”[63]

Në këtë hadith nuk kushtëzohet mosngopja dhe është lënë e lirë të hahet sa të duan.

Pastaj, ai që detyrohet të hajë të ngordhurën dhe nuk ngopet, atë do ta marrë uria përsëri së shpejti dhe do të hajë përsëri prej saj. Kjo në rastin kur vështirësia është e vazhdueshme, ndësra nëse pritet kalimi i saj, atëherë ndryshon gjendja dhe nuk lejohet të hahet më tepër se e domosdoshmja.

A është e detyrueshme ngrënia prej të ngordhurës për të detyruarin?

Edhe në këtë pikë ka dy mendime. Njëri thotë se është e detyrueshme dhe nëse nuk ha prej saj, pastaj vdes, hyn në zjarr. Kjo është fjala e Mesrukut dhe njëra prej dy fjalëve të shafive. Këtë ka zgjedhur edhe Ibën Hamid duke u mbështetur në Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe mos e shkatërroni veten tuaj me duart tuaja!” [El-Bekare: 195]. Kështuqë mosngrënia në këtë rast është shkatërrim i vetvetes. Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: Dhe mos e vrisni veten tuaj, sepse Allahu është i Mëshirshëm me ju.” [En-Nisa: 29].

Ndërsa mendimi i dytë është se ngrënia prej të ngordhurës në këtë rast nuk është e detyrueshme, sepse në një hadith të përcjellë nga Abdullah ibën Hudhafe es-Sehmi, një shok i të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thuhet se tirani i romakëve e burgosi atë dhe i la aty alkool të përzierë me ujë dhe mish derri të pjekur për tre ditë rradhazi. Megjithatë ai as nuk hëngri e as nuk piu dhe nga uria e etja u ligështua shumë. Ata iu trembën vdekjes së tij dhe e nxorrën nga burgu. Ai tha: Allahu ma kishte lejuar mua që të haja e të pija prej tyre, sepse isha i detyruar, por unë nuk t’a jepja kurrë kënaqësinë e të tallurit me Fenë Islame.”

Në rast domosdoshmërie, bëhet e lejuar çdo lloj prej të ndaluarave, qoftë në vendin tënd apo në udhëtim. Kjo sepse ajeti është i përgjithshëm dhe nuk përjashton ndonjë rast.


[1] Këto fjalë i kam dëgjuar nga shejh Meshhuri i cili i ka përsëritur shumë herë dhe i ka theksuar në disa mësime të tij në Amman. Ai solli këtu shembullin e dikujt që pretendon se është nxënës dije dhe kur merr vesh se imami është falur pa marrë avdes pas ngrënies së mishit të devesë, që sipas atij ngrënia e mishit të devesë e prish avdesin, në këtë rast xhematit nuk i quhet namazi sepse është falur pas një imami që ka dalë nga Islami, sepse ky i fundit është falur pa avdes dhe ai që falet pa avdes nuk ka namaz, ndërsa ai që e lë namazin është kafir. Vërtetë që kjo është idiotësia më e madhe që mund të dëgjohet dhe mosnjohje e Fesë as nga afër e as nga larg.

[2] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[3] Marrë nga libri “El-Mugni” (13/256)  me reduktime të konsiderueshme.

[4] Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu (7/111, 112, 114, 117), Muslimi (3/1532) Tirmidhiu etj.

[5]” El-Mugni” (13/257 e në vijim) me reduktime.

[6] Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu (7/111, 112, 114, 117), Muslimi (3/1532) Tirmidhiu etj.

[7] Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu (7/110) dhe Muslimi (3/1530).

[8] Këtë hadith e ka nxjerrë Ibën Maxheh etj. Shejh Albani e ka konsideruar Sahih në “Irvau el-galil”.

[9] Ky hadith me këtë tekst është Garib- me një rrugë transmetimi të vetme, megjithatë në domethënien e tij ekzistojnë hadithe të shumta. Prej tyre është edhe hadithi i nxjerrë nga Ed-Darakutni (4/295, 296) dhe Bejhakiu në “Es-sunenu el-kubra” (9/239). Shejh Albani e ka konsideruar të dobët këtë hadith në librin “Daif el-xhamiu” (3039)

[10] Këtë hadith e ka nxjerrë Ed-Darakutni (4/295) dhe Bejhakiu (9/240). Shejh Albani e ka konsideruar Meudu- të shpifur, të pasaktë në librin “Daif el-xhamiu” (855).

[11] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[12] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[13] Hadith Sahih. “Irvau el-galil” (1152). Hadithin e ka nxjerrë Ebu Daudi.

[14] Hadith Sahih. “Sahihu el-xhamiu” (6246). Hadithin e ka nxjerrë Ebu Daudi, Ed-Darimi dhe Ahmedi në “Musned”.

[15] Hadith Daif- i dobët. E ka nxjerrë Bejhakiu në “Es-sunenu el-kubra”.

[16] Hadith Muttefekun alejhi.

[17] E ka nxjerrë Buhariu (3/181, 186), Ebu Daudi, En-Nesai, Ibën Maxheh dhe Ahmedi.

[18] “El-Mugni” (13/265 e në vijim).

[19] Këtë hadith e transmeton Muslimi.

[20] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[21] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[22] Këtë hadith e ka nxjerrë Muslimi, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[23] Hadith Sahih. E ka nxjerrë En-Nesai (4302) dhe shejh Albani e ka konsideruar të saktë.

[24] Ky hadith është muttefekun alejhi.

[25] Marrë nga libri “Kitabu el-mexhmu” (9/51 e në vijim) i imam En-Nevevi, që është shpjegimi i librit “El-Muhedheb” të Esh-Shirazit.

[26] Hadith Sahih. Atë e ka nxjerrë Ibën Maxheh. Shih “Sahih el-xhamiu” (210).

[27] Këtë hadith e transmeton Buhariu.

[28] Këtë hadith e transmeton Muslimi.

[29] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[30] “El-Mugni” (13/290 e në vijim), “El-Mexhmu” (9/59 e në vijim).

[31] “El-Mugni” i Ibën Kudames (13/290).

[32] “Kitabul-mexhmuu” i imam Neveviut (8/234).

[33] “El-Mugni” i Ibën Kudames (13/290).

[34] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Ebu Daudi, Nesai dhe Ibën Maxheh.

[35] “Kitabul-mexhmu” i imam Neveviut (8/236-237).

[36] “Kitabul-mexhmu” i imam Neveviut (9/59).

[37] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[38] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[39] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[40] E transmeton Buhariu e të tjerë.

[41] Një pjesë të këtij hadithi e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[42] Këtë ether të Umerit (radiallahu anhu), Ibën Mundhir e ka konsideruar të saktë. Atë e ka përmendur gjithashtu Buhariu, por nga Ibën Umeri (radiallahu anhu).

[43] “Kitabul-mexhmu” (9/65-66).

[44] Këtë hadith e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[45] “Kitabul-mexhmuu” i imam Neveviut (9/86).

[46] “Kitabul-mexhmu” (9/89).

[47] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh.

[48] “El-Mugni” (13/316 e në vijim), me reduktime.

[49] Hadith Hasen. E ka nxjerrë Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh.

[50] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi e të tjerë.

[51] Ky hadith është Muttefekun alejhi.

[52] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu etj.

[53] Muttefekun alejhi.

[54] Këtë hadith e transmeton Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Daudi etj.

[55] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi etj.

[56] Hadith Daif- i dobët. E ka nxjerrë En-Nesai, Ed-Darimi dhe Ahmedi.

[57] “El-Mugni” (13/328 e në vijim).

[58] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh.

[59] Këtë vepër të Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ka nxjerrë Abdurr-Rrazaku në “El-Musanef” dhe Ibën Ebi Shejbeh po në “El-Musanef”.

[60] Këtë hadith e ka nxjerrë Bejhakiu në “Es-sunenu el-Kubra”, ndërsa imam Albani thotë se nuk e ka plotësuar verifikimin e tij.

[61] Burimi i mësipërm.

[62] “El-Mugni” i Ibën El-Kudame (13/330).

[63] Hadith Hasen. E transmeton Ebu Daudi.