USHQIMET

 


Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


 

Ushqimet sigurojnë jetesën e njeriut. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ

“Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi.”[1]

Nuk lejohen veçse ushqimet e mira të cilat i dëshiron organizmi i njeriut. Allahu i Lartësuar thotë:

يَسْأَلُونَكَ مَاذَا أُحِلَّ لَهُمْ قُلْ أُحِلَّ لَكُمْ الطَّيِّبَاتُ

“Të pyesin ty (Muhammed), çka u është lejuar atyre? Thuaju: “U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira”[2]

“Ushqimet e mira” nënkuptojnë ato të cilat i dëshiron shija dhe oreksi i njeriut, sikurse shihet edhe në ajetin e mëposhtëm:

وَيُحِلُّ لَهُمْ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمْ الْخَبَائِثَ

“U lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet”[3]

Ushqimet ndahen në dy kategori:shtazore dhe bimore. Ushqimet bimore janë të gjitha të lejuara me përjashtim të atyre të cilat janë të pa pastra (plotësisht apo pjesërisht), të dëmshme,dehëse dhe të fituara në mënyrë të padrejtë. Ushqim plotësisht i papastër konsiderohet p.sh. gjaku, kurse pjesërisht i papastër është p.sh. gjalpi në të cilin ka ngordhur një mi. Bukhariu transmeton se Mejmuna e ka pyetur Profetin (s.a.u.s) rreth gjalpit në të cilin kishte rënë një mi.Profeti (s.a.u.s) i është përgjigjur: “Hidheni miun dhe pjesën e gjalpit rreth tij , kurse gjalpin e mbetur hajeni”.[4] ·

Duke u bazuar në këtë hadith kuptohet se n.q.s. në një ushqim të ngurtë bie një gjallesë e ngordhur, atëherë hidhet gjallesa e ngordhur dhe pjesa e ushqimit rreth saj. Pjesa e mbetur mund të përdoret nëse vërtetohet se nuk ka rënë në kontakt me gjallesën e ngordhur. Nëse ushqimi është i lëngshëm ,  nuk lejohet të përdoret nëse bie në kontakt me diçka të papastër.

Zuhriu, Euzaiu, Ibn Abasi, Ibn Mes’udi dhe Bukhariu kanë thënë: “N.q.s në ushqimin e lëngshëm bie diçka e papastër ai bëhet i tillë vetëm nëse tjetërsohet. Nëse jo, ai konsiderohet i pastër.”

Ushqim i dëmshëm është ai i cili përmban lëndë helmuese, si p.sh. helmi i nxjerrë nga akrepat, bletët, gjarpërinjtë, bimët helmuese apo substancat inorganike si arseniku. Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَلا تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

 “Dhe mos  e mbytni veten tuaj, Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm për ju.”[5]

 

وَلا تُلْقُوا بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ

“Dhe mos e shkatërroni veten tuaj”[6]

Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai i cili hidhet nga një mal dhe vret veten, do të jetë duke u hedhur prej tij përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit, ai i cili pi helm dhe vret veten do të jetë duke pirë helm përgjithmonë ne zjarrin e Xhehenemit, ai i cili e vret veten me një hekur do të jetë përgjithmonë me atë hekur në dorë duke goditur veten në zjarrin e Xhehenemit”.[7] Helmet janë të ndaluara nëse sasia e përdorur dëmton shëndetin . Përveç helmeve, ndalohen çdo lëndë tjetër që shkakton dëm. Ahmedi dhe Ibn Maxheh transmetojnë se Profeti (s.a.u.s) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”.[8]

Në këtë kategori klasifikohet edhe duhani i cili shkakton dëmtimin e shëndetit dhe shpenzimin e kotë të pasurisë, pijet alkoolike dhe droga. Ushqimi i fituar në mënyrë të padrejtë si p.sh. ai  i grabitur është i ndaluar.

Ushqimet shtazore ndahen në dy lloje: ujore dhe tokësore. Ushqimet shtazore ujore janë të gjitha të lejuara, kurse ato tokësore ndahen në ushqime të lejuara dhe të ndaluara. Feja islame e ka përcaktuar secilën prej këtyre dy kategorive në mënyrë të qartë dhe të detajuar siç shpjegohet edhe nga ajeti i mëposhtëm kuranor:

 

وَقَدْ فَصَّلَ لَكُمْ مَا حَرَّمَ عَلَيْكُمْ إِلا مَا اضْطُرِرْتُمْ إِلَيْهِ

“Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar”[9]

Ky përcaktim i detajuar përfshin tre çështje:

  • Gjërat për të cilat ka argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) për lejimin e tyre.
  • Gjërat për të cilat ka argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) për ndalimin e tyre.
  • Gjërat për të cilat është heshtur ( nuk ka argumente rreth lejimit ose ndalimit të tyre)

 

Gjërat për të cilat ka argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) për lejimin e tyre

 

Nga ky grup mund të përmendim kafshët e detit (ujit).

Kafshët e detit janë të gjitha të lejuara përveç rasteve kur ato përmbajnë helme të dëmshme për shëndetin. Nëse jo, ato janë të gjitha të lejuara qofshin peshq apo lloje të tjera, të peshkuara apo të gjetura të ngordhura, të kapura nga muslimani apo jo muslimani, pavarësisht nëse kafsha detare i ngjason ndonjë kafshe tokësore apo jo. Kafshët e detit nuk është e nevojshme të pastrohen, duke u mbështetur për këtë në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ الْبَحْرِ وَطَعَامُهُ مَتَاعًا لَكُمْ وَلِلسَّيَّارَةِ

Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët”[10]

Darekutniu transmeton se Ibn Abbasi ka thënë “Peshkohet në det dhe hahet çdo ushqim që nxjerr deti”. Përsa i përket të ngordhurës, Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se një person e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “ O i Dërguar i Allahut, ne udhëtojmë në det dhe mbartim me vehte një sasi të vogël uji, nëse e përdorim atë për të marrë abdes do të vuajmë nga etja. A mund të marrim abdes me ujin e detit?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “ Uji i detit është i pastër dhe lejohet të hahet e ngordhura që ndodhet në të”.[11]

Transmetohet nga grupi i të pestëve dhe Tirmidhiu ka thënë se ky hadith është i mirë dhe i vërtetë. Bukhariu është pyetur rreth këtij hadithi dhe ka thënë që është i vërtetë.

  • Peshqit e kripur

Në shumë raste peshqit kripen në mënyrë që t’i rezistojnë prishjes për një kohë të gjatë. Nga këto lloje peshqish mund të përmendim: sardelen, harengën etj. Peshqit e kripur konsiderohen të pastër dhe rrjedhimisht janë të lejuar në qoftë se nuk e dëmtojnë shëndetin. Derdiri (r.a.), njëri prej dijetarëve të shkollës juridike të Malikive ka thënë :

“Betohem në Zotin se, peshku i kripur është i pastër sepse ai kripet vetëm pasi të ketë humbur jetën dhe gjaku i tij konsiderohet i papastër vetëm pas daljes  jashtë trupit të peshkut. Në rast se pas ngordhjes së peshkut gjendet në trupin e tij gjak, atëhere ai konsiderohet i njëjtë me gjakun e gjendur në damarët e kafshës së prerë sipas rregullave islame. Nuk ka dyshim se lëngjet që dalin më vonë nga trupi i peshkut janë të pastra.”

Me këtë mendim pajtohen edhe juristët hanefijë, hambelijë dhe një pjesë e juristëve malikijë.

 

  • Kafshët që jetojnë në tokë dhe në ujë

 

Ibn Arabiu ka thënë: “Gjykimi më i saktë për këto lloje kafshësh është ndalimi i tyre sepse në këtë rast kemi përplasje të dy argumenteve, lejuese dhe ndaluese. I japim prioritet argumentit ndalues që të jemi më të sigurtë”.

Kurse dijetarët e tjerë mendojnë se të gjitha kafshët që jetojnë në ujë janë të lejuara, pa marrë parasysh nëse ato mund të jetojnë edhe në tokë. Përjashtohet nga ky grup bretkoca për shkak se vrasja e saj është e ndaluar.

Abdurrahman Ibn Othmani (r.a.) ka thënë se një mjek e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) rreth bretkocës që të nxjerrë prej saj ilaç, por i Dërguari i Allahut ja ndaloi atij vrasjen e saj.[12] Këtë hadith e transmeton Ebu Davudi, En-Nesaiu dhe Ahmedi, ndërsa Hakimi thotë se hadithi është i saktë.[13]

 

  • Kafshët e tokës që janë të lejuara

 

Nga kafshët e tokës të cilat janë të lejuara me argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) mund të përmendim

kafshët shtëpiake, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَالأَنْعَامَ خَلَقَهَا لَكُمْ فِيهَا دِفْءٌ وَمَنَافِعُ وَمِنْهَا تَأْكُلُونَ

 “Edhe kafshët Ai i ka krijuar për ju dhe në sajë të tyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe hani prej tyre.”[14]

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَوْفُوا بِالْعُقُودِ أُحِلَّتْ لَكُمْ بَهِيمَةُ الاَنْعَامِ إِلا مَا يُتْلَى عَلَيْكُمْ

“O ju që besuat! Zbatoni detyrimet (obligimet). U janë (lejuar t’i hani) kafshët shtëpiake, me përjashtim të atyre që po ju lexohen (në këtë sure si të ndaluara)”[15]

Kafshë shtëpiake konsiderohen : deveja, lopa, bualli, delja, dhia duke shtuar dhe lopën e egër, deven e egër dhe drerin. Të gjitha këto kafshë janë të lejuara me konsensusin e juristëve islamë. Duke u mbështetur mbi argumente nga Tradita Profetike janë të lejuara  edhe: pula[16], kali[17], zebra[18], lepuri[19], hiena[20], karkaleci[21] dhe zogjtë.[22]

Ibn Abbasi transmeton se Khalid IbnVelidi (r.a) ka vizituar së bashku me Profetin (s.a.u.s.) tezen e tij, Mejmune Bintul Harith e cila i ka ofruar Profetit (s.a.u.s.) mish hardhuce që ia kishte sjellë një e afërmja e saj nga Nexhdi. Profeti (s.a.u.s.) e kishte zakon që të mos hante asgjë pa e ditur se ç’është ajo. Gratë kishin rënë dakort që të mos i tregonin se çfarë mishi ishte derisa ta provonte dhe ta dallonte nga shija. Pasi pyeti përsëri dhe e mori vesh se ç’ishte ai e la atë me përbuzje. Khalidi e pyeti: “A është i ndaluar mishi i hardhucës?” Profeti iu përgjigj: “Jo, por ai nuk përdoret në vendin tim dhe unë kam neveri nga ai.” Pastaj tezja ia ofroi mishin e hardhucës Khalidit i cili e hëngri atë në praninë e Profetit (s.a.u.s.).[23]

Tirmidhiu transmeton me një varg të saktë se Abdurrahman Ibn Omari ka thënë: “E pyeta Xhabir Ibn Abdullahun nëse lejohet ngrënia e mishit të hienës ?” Ai u përgjigj: “Po”. Pastaj e pyeta : “A është kafshë që gjuhet?” Ai me tha : “Po” Unë e pyeta përsëri : “A e ke dëgjuar këtë nga Profeti (s.a.u.s.)?” Ai më tha : “Po”.[24]

Vlen të përmendet se ngrënien e hienës e kanë lejuar edhe Shafiu, Ebu Jusufi dhe Muhamed Ibn Hazmi. Në lidhje me këtë Shafiu ka thënë: “Arabët e preferojnë dhe e përdorin mishin e  hienës, e cila vazhdon të shitet dhe blihet në mes të Safasë dhe Merves (dy kodra në Mekke) pa problem.”

Disa prej dijetarëve e ndalojnë ngrënien e hienës duke argumentuar se ajo është kafshë grabitqare, por hadithi i sipërpërmendur vërteton të kundërtën.

Ebu Davudi dhe Ahmedi transmetojnë se kur Ibn Omeri u pyet rreth iriqit, ai lexoi ajetin kuranor:

قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ

“Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi.”[25]

Por një plak i pranishëm tha: Kam dëgjuar Ebu Hurejren se kur iriqi iu përmend Profetit (s.a.u.s), ai tha: “ Ai është diçka e keqe”. Atëhere Ibn Omeri tha : “Nëse Profeti e ka thënë këtë, atëhere ai është siç ka thënë”.[26] Ky hadith është transmetuar nga Isa Ibn Nemile dhe është i dobët. Sheukani ka thënë : “ Nuk duhet që ky hadith ( i dobët ) ta veçojë iriqin nga argumentet e përgjithshme  të lejimit”. Bazuar në thënien e Sheukanit, ngrënia e iriqit është e lejuar.

Maliku, Ebu Theuri, Shafiu dhe Lejthi janë të mendimit se lejohet ngrënia e iriqit sepse arabët e pëlqejnë atë dhe se hadithi është i dobët. Hanefitë e konsiderojnë të pa pëlqyeshme ngrënien e tij. Përsa i përket miut, Aishja (r.a.) ka thënë se ai nuk është i ndaluar duke lexuar ajetin kuranor:

قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ

“Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi.”[27]

Maliku mendon se nuk është e ndaluar ngrënia e akrepave, krimbave të tokës, të djathit, të hurmave, etj. Kurtubiu thotë se argumenti i Malikut për këtë është thënia e Ibn Abbasit dhe Ebu Dërdait: “Çfarë ka lejuar Allahu është hallall, çfarë ka ndaluar është haram dhe për çfarë ka heshtur është falje (mëshirë)”. Ahmedi ka thënë për mizat e fasules: “Mënjanimi i ngrënies së tyre është më e preferueshme por nëse s’është e mundur atëhere lejohet të hahen”. Në lidhje me pastrimin e hurmave nga krimbat, ai ka thënë se lejohet. Transmetohet se kur Profetit (s.a.u.s.) iu ofrua një hurmë, ai e kontrolloi atë duke i hequr krimbat derisa e pastroi. Ibnu Kudame ka thënë: “Kjo është më e preferueshme”. Ibn Shihabi, Urve, Shafiu, Hanefijtë dhe disa nga dijetarët e Medines gjykojnë se nuk lejohet ngrënia e parazitëve të tokës, si gjarpërinjtë, minjtë dhe çfarë u ngjason atyre. Ata e argumentojnë këtë mendim duke thënë se çfarë lejohet te vritet nuk lejohet të hahet. Sipas tyre, në këtë rast nuk zbatohet therja sipas rregullave islame.

Në lidhje me ngrënien e zogjve (shpëndëve), Profeti(s.a.u.s.) ka thënë : “Kushdo që vret një zog pa ia dhënë të drejtën e tij, do të pyetet nga Allahu për këtë”. E pyetën Profetin (s.a.u.s.): “Cila është e drejta e tij?”. Ai u përgjigj: “Të vritet (sipas rregullave) dhe të hahet dhe jo t’i pritet koka dhe pastaj të hidhet”.[28] Transmetuar nga Nesaiu. Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Profeti(s.a.u.s) ka ngrënë me disa nga shokët e tij mishin e urithit.[29]

 

  • Gjërat për të cilat ka argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) për ndalimin e tyre

 

Kurani Famëlartë përmend dhjetë lloje ushqimesh të ndaluara (haram), të renditura në këtë ajet kuranor:

 

حُرِّمَتْ عَلَيْكُمْ الْمَيْتَةُ وَالدَّمُ وَلَحْمُ الْخِنزِيرِ وَمَا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ وَالْمُنْخَنِقَةُ وَالْمَوْقُوذَةُ وَالْمُتَرَدِّيَةُ وَالنَّطِيحَةُ وَمَا أَكَلَ السَّبُعُ إِلا مَا ذَكَّيْتُمْ وَمَا ذُبِحَ عَلَى النُّصُبِ وَأَنْ تَسْتَقْسِمُوا بِالأَزْلَامِ ذَلِكُمْ فِسْق

“Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat[30], gjakun[31], mishin e derrit[32], ajo që theret jo në emrin e Allahut[33], kafsha që ngordh si pasojë e marrjes së frymës,

e mbytura[34], e rrëzuara[35], e shpuara (nga briri i tjetrës)[36], ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë)[37], ajo që është therur për idhuj[38], dhe (u është ndaluar) ta kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj Allahut.”[39]

Ky ajet kuranor sqaron në mënyrë të detajuar rastet e përmendura në ajetin e mëposhtëm:

 

قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ إِلا أَنْ يَكُونَ مَيْتَةً أَوْ دَمًا مَسْفُوحًا أَوْ لَحْمَ خِنزِيرٍ فَإِنَّهُ رِجْسٌ أَوْ فِسْقًا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ

Thuaj: Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: ngordhësirë, gjak i derdhur ose mish derri i cili është i pistë, dhe ajo që është therur jo në emër të Allahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat.”[40]

Ky ajet përmend vetëm katër raste të përgjithësuara, kurse ajeti i parë i trajton ato në mënyrë të hollësishme,dhe nuk ka asnjë papajtueshmëri në mes të dy ajeteve.

 

  • Ajo që pritet nga kafsha e gjallë

 

U bashkohet gjërave të ndaluara të sipërpërmendura edhe ajo që pritet nga kafsha e gjallë. Ebu Vakid El-Lejthi tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ajo pjesë që pritet nga një kafshë e gjallë konsiderohet e ngordhur”.[41] Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është i mirë dhe se juristët islamë punojnë në bazë të tij.

 

Përjashtohen nga llojet e ushqimeve të ndaluara këto raste:

  1. a) Peshqit dhe karkalecat e ngordhur të cilët konsiderohen të pastër në bazë të hadithit që tregon Ibn Omeri, se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Na janë lejuar dy lloje kafshësh të ngordhura dhe dy lloje gjaku. Dy kafshët e ngordhura janë peshqit dhe karkalecat, kurse dy llojet e gjakut janë mëlçia dhe shpretka”.[42] Këtë hadith e kanë transmetuar Ahmedi, Shafiu, Ibn Maxhe, Bejhakiu dhe Darkutniu. Hadithi është i dobët, por Imam Ahmedi e ka saktësuar si thënie të Ibn Umerit, merr gradën e hadithit merfu (si thënie e profetit( s.a.u.s ). Siç e kanë thënë Ebu Zura dhe Ebu Hatimi Ky lloj hadithi merr gradën e hadithit “marfu’a” (me një varg që shkon deri tek Profeti (s.a.u.s.).

 

Kjo sepse fjala e sahabiut (shokut të Profetit s.a.u.s.): “Na u lejua kjo gjë dhe na u ndalua ajo” i ngjan shprehjes “u urdhëruam dhe u ndaluam” dhe më sipër pamë çfarë e përforcon këtë hadith.

Kur themi se e ngordhura është e ndaluar nënkuptojmë ndalimin e ngrënies së mishit të saj, por lejohet të përfitohet prej saj për qëllime te tjera.

  1. b) Kockat e kafshës së ngordhur, brirët, thonjtë, leshi, pendët, lëkura, etj. janë të këtij lloji të pastra dhe mund të përfitohet prej tyre(Sepse ato në origjinë janë të pastra dhe s’ka argument për papastërtinë e tyre). Në lidhje me kockat e të ngordhurave, si p.sh. ato të elefantit apo të një kafshe tjetër, Zuhriu ka thënë: “Kam parë disa dijetarë të mëparshëm që krehnin flokët me to pa parë në këtë veprim diçka të keqe”. Transmetuar nga Bukhariu.

Ibn Abbasi transmeton: “I ishte dhënë si lëmoshë një dele robëreshës së Mejmunës, dhe kur ajo ngordhi kaloi aty pranë Profeti (s.a.u.s.) dhe i tha: “Përse nuk e merrni lëkurën e saj që ta përpunoni dhe të përfitoni prej saj?”Ata i thanë se ajo ishte e ngordhur, mirëpo Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Është ndaluar vetëm ngrënia e saj”.

Transmetuar nga grupi, përveç Ibn Maxhes i cili ka thënë: Nga Mejmuna. Ndërsa Buhariu dhe Nesaiu nuk kanë përmendur përpunimin e lëkurës.

Ibn Mundhir dhe Ibn Hatimi transmetojnë se pasi Ibn Abbasi lexoi këtë ajet:

 

قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ

 

Thuaj: Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi”[43], ka thënë: “Është ndaluar nga ato vetëm mishi, kurse lëkura, dhëmbët, kockat dhe qimet (leshi) janë të lejuara”.

Gjithashtu edhe mullëza (një organ që merrret nga kafshët dhe kryen funksionin e farës së djathit) konsiderohet e pastër sepse kur shokët e Profetit(s.a.u.s.) çliruan Irakun, ata kanë ngrënë djathin e Mexhusëve të prodhuar me mullë, edhe pse të therurat e tyre hyjnë në të njëjtën kategori me të ngordhurat (pasi ato nuk priten në emër të Zotit).

Ështe vërtetuar se kur e kanë pyetur Selman Farisiun (r.a.) rreth djathit, gjalpit dhe lëkurës ai ka thënë: “Hallall është çdo gjë që Allahu e ka lejuar në Librin e Tij, haram është çdo gjë që Ai e ka ndaluar në Librin e Tij, kurse gjërat për të cilat ka heshtur janë shprehje e faljes dhe e mëshirës se Tij”. Dihet se pyetja ishte rreth djathit të Mexhusëve, pasi në atë kohë Selmani ishte zëvëndës i Omer Ibn Khatabit (r.a.) atje.

  1. c) Gjaku me sasi të vogël është i lejuar. Ibn Xherixhi(apo Xhurejxh) e shpjegon shprehjen Kuranore : (أَوْ دَمًا مَسْفُوحًا ) duke thënë se ajo nënkupton gjakun që rrjedh. Si pasojë, gjaku që gjendet në vena është i lejuar (pasi ai nuk rrjedh). Nxjerrë nga Ibn Mundhiri.

Ebu Mixhlezi në lidhje me gjakun e ndodhur në vendin e therjes së deles apo në pjesën e sipërme të enës ka thënë: “Lejohet pasi është ndaluar vetëm gjaku që rrjedh”. Nxjerrë nga Ibn Hamidi dhe Ebu Shejkhu.

Tregohet se Aishja (r.a.) ka thënë: “Kemi ngrënë mishin ndërsa shënjat e gjakut dalloheshin mbi enë”.

 

  • Ndalimi i gomarit dhe i mushkës

 

Nga kafshët e ndaluara janë edhe gomari[44] dhe mushka. Thotë Allahu i madhëruar:”

 

وَالْخَيْلَ وَالْبِغَالَ وَالْحَمِيرَ لِتَرْكَبُوهَا وَزِينَةً

“Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat dhe gomarët, për t’ju hipur atyre dhe si stoli”[45]

  1. Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Mikdad Bin Madi Kerib bazuar mbi një varg transmetuesish të mirë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Me të vërtetë mua më është dhënë Libri dhe bashkë me të synneti im (Tradita Profetike). A nuk po ju thotë ky burrë i ngopur dhe i ulur në divanin e tij: Punoni në bazë të këtij Kurani, çfarë gjeni në të të lejuar, lejojeni dhe çfarë gjeni në të të ndaluar, ndalojeni. Me të vërtetë u është ndaluar juve mishi i gomarit, i kafshëve grabitqare, dhe as sendi i humbur i jomuslimanit të cilit i është dhënë garanci në shtetin islam vetëm nëse i zoti i saj heq dorë. Kush shkon tek një popull, ata duhet ta mikpresin atë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atij i lejohet që të marrë çfarë i nevojitet qoftë edhe me forcë”.[46]

 

  1. Enesi (r.a.) tregon: “Kur Profeti çliroi Hajberin morëm disa gomerë nga fshati dhe e gatuam mishin e tyre. Profeti (s.a.u.s.) na u drejtua duke thënë: “Allahu dhe i dërguari ua ndalojnë ngrënien e mishit të gomarit sepse kjo është punë e keqe dhe prej veprave të djallit”. Atëhere u përmbysën enët dhe u derdh çfarë kishte në to.”[47] Transmetojnë të pestët.
  2. Xhabiri (r.a.) thotë: “Ditën e Hajberit, Profeti (s.a.u.s.) na e ndaloi ngrënien e mishit të mushkës dhe të gomarit, dhe nuk na e ndaloi ngrënien e mishit të kalit”.[48]

Por transmetohet se Ibn Abbasi e ka lejuar ngrënien e mishit të gomarit.

Në fakt ai është ndalur në këtë çështje dhe ka thënë : “Nuk e di nëse Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar mishin e gomarit për shkak se ata përdoreshin për transport dhe nuk donte që njerëzit t’i humbnin mjetet e tyre të transportit apo e ka ndaluar ngrënien e tyre ditën e Hajberit”[49] (siç e transmeton Bukhariu).

 

 

  • Ndalimi i kafshëve dhe shpendëve grabitqarë

 

Islami e ka ndaluar ngrënien e kafshëve dhe shpendëve grabitqarë. Muslimi transmeton se Ibn Abbasi ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) na i ka ndaluar kafshët dhe shpendët grabitqarë.”[50]

Kafshë grabitqare janë ato të cilat sulmojnë njeriun dhe pronën e tij (kafshët shtëpiake) si: ujku, luani, qeni, tigri dhe macja. Sipas mendimit të shumicës së juristëve islamë të gjitha këto kafshë janë të ndaluara. Ebu Hanifja mendon se çdo kafshë që ushqehet me mish konsiderohet grabitqare. Kështu që elefanti, hiena dhe macja janë të ndaluara sipas tij. Ndërsa Shafiu mendon se kafshët grabitqare të ndaluara janë ato të cilat e sulmojnë njeriun si p.sh. luani, tigri dhe ujku. Maliku transmeton në librin e tij “Al Muata” se Ebu Hurejre tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ndalohet ngrënia e mishit të kafshëve grabitqare.”[51] Pas këtij hadithi Maliku ka thënë: “Kështu është kjo çështje tek ne”.

Ibn Kasimi transmeton prej tij se ngrënia e mishit të këtyre kafshëve është e papëlqyeshme dhe kështu mendojnë shumë nga shokët e tij.

Shafiu dhe shokët e Ebu Hanifes e lejojnë ngrënien e dhelprës, kurse Ibn Hazmi e lejon ngrënien e elefantit dhe të shqarthit. Ndalohet gjithashtu ngrënia e majmunit.

Ebu Omeri ka thënë: “Të gjithë dijetarët islamë kanë rënë dakort se nuk lejohet ngrënia e mishit të majmunit sepse Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar këtë”. Ndërsa shpendët grabitqarë janë ata të cilët sulmojnë duke përdorur kthetrat e tyre si p.sh. skifteri, shqiponja, petriti, etj. Këto shpendë janë të ndaluar sipas mendimit të shumicës së dijetarëve islamë. Ndërsa Maliku i konsideron ato të lejuara edhe nëse ushqehen me jashtëqitjet e kafshëve të tjera.

 

  • Ndalimi i ngrënies se kafshëve që ushqehen me jashtëqitjet e kafshëve të tjera

 

Kafshët të cilat ushqehen me jashtëqitjet e devesë, lopës, deles, pulës, patës, etj. derisa marrin erë të keqe janë të ndaluara. Transmetohet se ndalohet përdorimi i tyre për transport, mish dhe qumësht.

  1. Ibn Abbasi thotë: “ Profeti (a.u.s.) e ka ndaluar përdorimin e qumështit të tyre”.[52] Transmetuar nga të pestët perveç Ibn Maxhes dhe hadithi është saktësuar nga Tirmidhiu. Në një transmetim tjetër të Ebu Davudit thuhet: “Profeti ka ndaluar edhe përdorimin e tyre për transport.”[53]
  2. Amr Bin Shuajbi përcjell nga babai i tij; nga gjyshi i tij se: “Profeti (a.u.s.) ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit të butë, të kafshëve të cilat ushqehen me jashtëqitjet e kafshëve të tjera. Ai gjithashtu ka ndaluar përdorimin e këtyre të fundit për transport.”[54] Transmetuar nga Ahmedi, Nesaiu dhe Ebu Davudi.

Nëse këto kafshë mbahen të mbyllura larg jashtëqitjeve të kafshëve të tjera për një kohë të caktuar dhe ushqehen vetëm me ushqime të pastra atëherë ato bëhen të lejuara sepse shkaku i ndalimit të tyre zhduket.

 

  • Ndalimi i të këqijave

 

Përveç këtij shpjegimi të hollësishëm, Kurani ka vendosur një ligj të përgjithshëm për të gjitha gjërat e ndaluara. Allahu i Madhëruar thotë :

 

وَيُحِلُّ لَهُمْ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمْ الْخَبَائِثَ

 “U ka lejuar ushqimet e këndshme dhe u ka ndaluar ato të pakëndshmet”[55].

Gjërat e mira janë ato të cilat pëlqehen dhe shijohen nga njerëzit dhe për të cilat nuk ka argumente (nga Kurani dhe Tradita Profetike) për ndalimin e tyre. Kurse gjëra të cilat nuk janë të këndshme për njerëzit ndalohen.

Shafiu dhe Hanbelijtë mendojnë se gjërat e mira janë ato të cilat i pëlqejnë dhe i shijonë vetëm arabët. Me arabë ata nënkuptojnë banorët e qyteteve dhe fshatrave dhe jo beduinët e ashpër.Muhamed Ibn Alij Esh-Sheukënij, në librin e tij “Ed-derari El- Mudijje” thotë se mendimi më i saktë është se gjërat e mira janë ato që u pëlqejnë njerëzve dhe jo vetëm arabëve. Ai thotë: “Çfarë nuk u pëlqen njerëzve, jo për ndonjë arsye apo sepse nuk janë mësuar me to, por thjesht sepse nuk i shijojnë, atëhere ato janë të ndaluara. Nëse diçka nuk u pëlqen vetëm disave atëhere merret në konsideratë shija e shumicës së njerëzve. Kështu p.sh. insektet dhe shumë kafshë të tjera nuk preferohen nga njerëzit edhe pse nuk ka argumente për ndalimin e tyre. Ato janë të ndaluara sepse nuk u pëlqejnë njerëzve dhe pikërisht për këtë flet edhe ajeti kuranor:

وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمْ الْخَبَائِثَ

“dhe u ka ndaluar ato të pakëndshmet”[56]

Ndër gjërat e papëlqyeshme dhe të neveritshme mund të përmendim : pështymën, sekrecionet e hundës, djersën, spermën, bajgat, parazitët e kokës, pleshtat, etj.

 

  • Ndalimi i atyre gjërave për të cilat sheriati ka urdhëruar të vriten

 

Disa juristë mendojnë se gjithashtu ndalohen ato gjëra për të cilat Profeti (s.a.u.s.) ka urdhëruar ose ndaluar vrasjen e tyre. Gjërat për të cilat Profeti (s.a.u.s.) ka urdhëruar të vriten janë pesë: korbi[57], skifteri, akrepi, miu dhe qeni kafshues. Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu transmetojnë nga Aishja (r.a.) se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Pesë lloje kafshësh janë të këqija dhe duhet të vriten ne vendet e shënjta: korbi, skifteri, akrepi, miu dhe qeni i tërbuar.”[58]

 

Transmeton Ebu Daudi  me zinxhir të saktë nga Ibn Abasi se: “Profeti (s.a.u.s) ka ndaluar nga vrasja e katër gjërave: milingonës, bletës, pupëza dhe shrike[59][60]

Sheukani e ka diskutuar këtë mendim dhe e ka kritikuar duke thënë: “ Është thënë se prej shkaqeve të ndalimit është edhe urdhëri për vrasjen e diçkaje si p.sh vrasja e pesë kafshëve të këqija, apo ndalimi i vrasjes së diçkaje si në rastin e milingonës, bletës dhe bretkocës. Por nuk ka asnjë argument që ta vërtetojë ndalimin e ngrënies së asaj që është urdhëruar të vritet apo të asaj që është ndaluar vrasja e saj. Kështu që urdhëri i vrasjes dhe ndalimi i saj nuk përbëjnë argument logjik për këtë dhe nuk mund të konsiderohet si bazë për ndalimin e tyre. Në qoftë se gjërat që janë urdhëruar ose ndalur të vriten futen tek gjërat e këqija, atëhere ato janë të ndaluara me ajetin kuranor për këtë. Nëse jo, atëhere ato janë të lejuara duke u bazuar në atë çka përmendëm më pare se gjërat në origjinë janë të lejuara(hallall)”.

 

  • Gjërat për të cilat është heshtur (nuk ka argumente rreth lejimit ose ndalimit të tyre)

 

Gjërat për të cilat është heshtur dhe nuk ka argumente për ndalimin e tyre janë të lejuara, duke u mbështetur në rregullin e pranuar nga të gjithë se “gjërat në thelbin e tyre janë të lejuara”. Ky rregull është një ndër bazat e fesë islame.

Ka argumente të shumta që e vërtetojnë lejimin e gjërave për të cilat është heshtur. Prej tyre mund të përmendim:

  1. Allahu i Lartësuar thotë:

هُوَ الَّذِي خَلَقَ لَكُمْ مَا فِي الأَرْضِ جَمِيعًا

Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë”[61]

  1. Darkutniu transmeton nga Ebu Thalebe se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu i ka përcaktuar disa obligime, prandaj përmbahuni atyre; Ai i ka vendosur disa kufij, prandaj mos i kaloni; Ai ka heshtur për disa gjëra jo nga harresa por nga mëshira e Tij për ju, prandaj mos debatoni rreth tyre.”[62]
  2. Selman Farisiu tregon se kur Profeti (s.a.u.s.) është pyetur rreth gjalpit, djathit dhe lëkurës ka thënë: “Hallall është çdo gjë që Allahu e ka lejuar në librin e Tij; Haram është çdo gjë që Ai e ka ndaluar në librin e Tij, kurse gjërat për të cilat ka heshtur janë shprehje e faljes dhe e mëshirës së Tij.”[63]

Nxjerrë nga Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu i cili thotë se ky hadith është “Gharib” ( i cili ka një transmetues të vetëm dhe i njohur vetëm në këtë formë). Ky hadith është transmetuar edhe nga Hakimi në librin e tij “El-Mustedrak”.

  1. Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Saad Bin Ebi Vekasi se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “ Mëkatari më i madh që i dëmton muslimanët është ai i cili pyet për diçka që nuk u është ndaluar njerëzve dhe atëhere ajo ndalohet vetëm për shkak të pyetjes së tij.”[64]
  2. Ebu Derdau tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Hallall është ajo të cilën Allahu e ka lejuar në Kuran. Haram është ajo të cilën Allahu e ka ndaluar, kurse gjërat për të cilat ka heshtur janë mëshirë, prandaj pranojeni nga Allahu mëshirën e Tij. Me të vërtetë Allahu nuk harron asgjë.”[65] Më pas, Profeti (s.a.u.s.) lexoi ajetin kuranor:

 

وَمَا كَانَ رَبُّكَ نَسِيًّا

“Zoti yt nuk është që harron”[66]

Këtë hadith e ka nxjerrë Bezari, i cili thotë se ai mbështetet në një varg të saktë transmetimi dhe Hakimi, i cili thotë se hadithi është i saktë.

 

  • Mishi i importuar

 

Lejohet ngrënia e mishit të importuar nga vendet joislame me dy kushte:

1- Të jetë mish të cili e ka lejuar Allahu (xh.sh.)

2- Të jetë therur konformë rregullave islame.

Në rast se nuk përmbushen këto dy kushte, pra është mish i një kafshe të ndaluar si p.sh. mish derri ose nuk është therur në përputhje me rregullat islame, atëhere ai është i ndaluar. Këto dy kushte mund t’i njohim me lehtësi duke përdorur mjetet bashkëkohore të komunikimit. Në shumicën e rasteve mbi amballazh shënohen të dhënat e mishit dhe lloji i tij. Mund të mjaftohemi me këto të dhëna pasi në përgjithësi ato janë të besueshme.

Të këtij mendimi kanë qenë edhe juristët e mëparshëm islamë. Shërbini thotë në njërin prej librave të shafiijve “ El-Ikna’a”: “ Nëse një mëkatar ose një pasues i librave të tjerë hyjnorë (çifut ose kristian) tregon se ai e ka prerë këtë dele atëhere lejohet ngrënia e mishit të saj sepse ai konsiderohet therës sipas rregullave. Nëse në një vend gjenden muslimanë dhe idhujtarë dhe nuk dihet me saktësi se kush e ka therur një kafshë (muslimani apo idhujtari) atëhere ndalohet ngrënia e mishit të saj për shkak të dyshimit. Nëse muslimanët përbëjnë shumicën siç ndodh në vendet islame, atëhere ajo duhet të lejohet”.

 

Lejimi i gjërave të ndaluara në rast domosdoshmërie

 

Në rast domosdoshmërie lejohet ngrënia e të ngordhurës, mishit të derrit dhe kafshëve të tjera të ndaluara[67] nga Allahu (xh.sh) për të shpëtuar nga vdekja. Lejimi i këtyre gjërave në këtë rast nënkupton obligimin e ngrënies së tyre duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

وَلا تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

“Dhe mos mbytni veten tuaj, Vërtet, Allahu është mëshirues ndaj jush”.[68]

 

Kufiri i domosdoshmërisë

 

Njeriu konsiderohet i detyruar nga nevoja në rast se është duke vdekur apo i sëmurë rëndë nga uria, qoftë ai besimtar i devotshëm apo mëkatar. Allahu i Madhëruar thotë:

 

فَمَنْ اضْطُرَّ غَيْرَ بَاغٍ وَلا عَادٍ فَلا إِثْمَ عَلَيْهِ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ

 

E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu falë (mëkatet) dhe është mëshirues”.[69]

Ebu Davudi transmeton nga El Fuxhi El Amiriu se ai erdhi tek  profeti (s.a.u.s.) dhe pyeti: “Çfarë na lejohet neve nga të ngordhurat?”. Profeti (s.a.u.s.) i pyeti “Me çfarë ushqeheni?” Ata u përgjigjën: “Vetëm pijmë ujë në darkë dhe në mëngjes”. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) u betua se kjo është uri e vërtetë dhe ua lejoi atyre ngrënien e të ngordhurës në këtë rast.”[70]

Ibn Hazmi ka thënë: “Kufiri i nevojës është të qëndruarit një ditë dhe një natë pa ngrënë dhe pa pirë. Nëse i frikësohet dobësisë që mund t’i sjellë vdekjen apo t’i ndërpresë udhëtimin dhe punën, atëhere i lejohet të hajë çdo gjë që të shpëtojë nga vdekja si pasojë e urisë dhe etjes. Kufiri i caktuar prej nesh (të qëndruarit një ditë dhe një natë pa ngrënë) bazohet tek hadithi i Profetit (s.a.u.s.) që e ndalon agjërimin një ditë dhe një natë pa ndërprerje. Fjala jonë “nëse i frikësohet vdekjes” do të thotë se ai është i detyruar”.

Malikitë mendojnë se kufiri i nevojës është të qëndruarit tre ditë pa ngrënë. Në këtë rast nevojtarit i lejohet të hajë çfarë të mundet nga ajo që ka ndaluar Allahu qoftë edhe nga pasuria e tjetrit.

 

Sasia e lejuar që të hahet në rast domosdoshmërie

 

Nevojtari mund të hajë nga e ngordhura sasinë e domosdoshme për të mbijetuar dhe për të rifituar fuqitë. Ai mund ta shtojë këtë sasi sipas nevojës. Në një transmetim nga Maliku dhe Ahmedi thuhet se i lejohet atij të hajë derisa të ngopet.

Ebu Davudi transmeton nga Xhabir Bin Semueh se një burrë po kalonte në një shkretëtirë dhe aty i ngordhi deveja. Gruaja i tha: “Rripe që t’ia marrim dhjamin dhe mishin që ta hamë”. Burri tha: “ Më parë do të pyes Profetin (s.a.u.s.) Profeti i tha: “A ke ndonjë pasuri tjetër?”. Burri tha: “Jo”. Atëhere Profeti (s.a.u.s.) tha: “Hajeni atë.”[71]

Shokët e Ebu Hanifes kanë thënë që të mos ngopet me të. Nuk konsiderohet i detyruar nëse në atë vend gjendet ushqim qoftë edhe pronë e dikujt tjetër.

Njeriu konsiderohet detyruar nëse nuk gjen ushqim qoftë edhe pronë e dikujt tjetër. Dijetarët islamë kanë rënë dakort se nëse nevojtari gjen një ushqim që është pronë e dikujt tjetër, i lejohet ta hajë atë edhe pa lejen e të zotit. Por ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me garancinë që duhet të japë nevojtari për kompensimin e pronarit.

Shumica e dijetarëve mendojnë se nëse pronari nuk është i pranishëm, atëhere nevojtarit i lejohet të marrë nga ai ushqim me qëllim kompensimin e tij, sepse nevoja nuk e justifikon shkeljen e të drejtave të tjetrit.

Por Shafiu ka thënë: “Garancia për kompensim nuk është e nevojshme sepse përgjegjësia bie në rast nevoje dhe mjafton lejimi i Zotit. Kështu që nuk duhet të bashkohen lejimi dhe garancia”.

Në qoftë se gjendet ushqim në atë vend por pronari i tij nuk e lejon nevojtarin që ta përdorë, atëhere atij i lejohet që ta marrë me forcë nëse mundet.

Malikijtë thonë: “Lejohet që nevojtari të dyluftojë me pronarin me armë por vetëm pasi t’i ketë treguar se ai është nevojtar. Nëse nevojtari e vret pronarin, atëhere gjaku i tij konsiderohet i humbur sepse është detyrim që t’i jepet ushqim nevojtarit. Nëse pronari e vret nevojtarin atëhere ai duhet të vritet”.

Ibn Hazmi ka thënë: “Kush është nevojtar dhe nuk gjen ushqim tek ndonjë musliman ose jomusliman, i lejohet atij ngrënia e të ndaluarës derisa të ngopet dhe ta përsërisë këtë gjë derisa të gjejë ushqim të lejuar. Kur gjen ushqim të lejuar, atëhere ushqimi i mëparshëm bëhet përsëri i ndaluar. Nëse gjen ushqim tek një musliman ose një jomusliman, atëhere ai ka gjetur atë çfarë ka urdhëruar Profeti (s.a.u.s.) që të ushqehet prej tij, me fjalët: “Ushqejeni të uriturin.”[72] Kjo është e drejta e tij dhe nuk është i detyruar që të hajë të ngordhurën. Nëse kjo i ndalohet padrejtësisht atëhere ai konsiderohet nevojtar”.

 

 A lejohet përdorimi i alkoolit për kurim?

 

Të gjithë dijetarët kanë rënë dakort për lejimin e të ndaluarës në rast nevoje. Por ata kanë mendime të ndryshme përsa i përket përdorimit të alkoolit për kurim. Një grup dijetarësh e kanë ndaluar këtë kurse disa të tjerë e kanë lejuar.

Mendimi më i saktë është ndalimi i tij. Në periudhën e injorancës paraislame njerëzit e kanë përdorur alkoolin si ilaç, por me ardhjen e Islamit ai u ndalua. Imam Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Tarik Bin Suvejd El Xhafij e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) rreth alkoolit, por ai ja ka ndaluar atë. Atëhere Tariku i ka thënë “Unë e prodhoj atë për ilaç”. Profeti i është përgjigjur: “Ai nuk është ilaç por sëmundje.”[73]

Ebu Davudi transmeton nga Ebu Derdau se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu ka krijuar sëmundjen dhe ilaçin dhe secilës sëmundje i ka caktuar ilaçin e saj. Kurohuni por jo me gjëra të ndaluara.”[74]

Përpara ardhjes së Islamit njerëzit e kanë përdorur alkoolin edhe për t’u mbrojtur nga të ftohtit, por Islami e ka ndaluar edhe këtë.

Ebu Davudi transmeton se Dejlem El Himiri i është drejtuar Profetit (s.a.u.s.) duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, ne jetojmë në një vend të ftohtë dhe merremi me punë të rënda prandaj përdorim këtë pije që e prodhojmë nga gruri që të na forcojë në punën tonë dhe të na bëjë ne t’i rezistojmë të ftohtit”. Profeti (s.a.u.s.)e pyeti: “A ju deh?” Ai tha: “Po”. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Largohuni prej saj”. Ai tha: “Njerëzit nuk do ta lënë atë”. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Nëse nuk e lënë, i luftoni ata.”[75]

Disa dijetarë e kanë lejuar përdorimin e alkoolit për kurim me kusht që të mos gjendet asnjë ilaç tjetër i lejuar që të kryejë funksionin e tij. Gjithashtu duhet që përdoruesi të mos ketë për qëllim ta shijojë dhe të dehet më të dhe të mos e kalojë sasinë e përcaktuar nga mjeku.

Përveç kësaj, dijetarët e kanë lejuar përdorimin e alkoolit në rast domosdoshmërie duke sjellë si shëmbull dikë që i ka ngelur kafshata në fyt dhe gati i ka marrë frymën. Në këtë rast personi mund të pijë alkool për të kaluar kafshatën nëse nuk gjen diçka tjetër.

Një shembull tjetër është kur një person është duke vdekur nga të ftohtit dhe nuk ka me çfarë të ngrohet përveç se me një gotë apo gllënjkë alkool. Gjithashtu një personi të cilit i ka rënë infarkt dhe është duke vdekur i lejohet të pijë një sasi të caktuar alkooli nëse mjeku ia rekomandon këtë.

Të gjitha këto konsiderohen raste të domosdoshme në të cilat lejohen të ndaluarat.

 

Therja sipas sheriatit Islam

 

Përkufizimi i saj

Therja sipas dispozitave islame nga ana gjuhësore rrjedh nga fjala arabe “dhekat” që do të thotë “ mban aromë të mirë”. Ky term është përdorur për të përshkruar therjen sepse aplikimi i saj sipas rregullave islame e bën atë të mire. Fjala “dhekat” do të thotë gjithashtu “përsosmëri”. Ky term në jurisprudencën islame nënkupton therjen e kafshës duke i prerë fytin ose gurmazin. Kafshët e lejuara nuk lejohen të haen vetëm në rast se  nuk theren në këtë mënyre duke perjashtuar peshkun dhe karkalecin.

 

Kushtet e therjes

 

Gjatë therjes sipas dispozitave islame duhet të respektohen disa kushte :

  1. Personi që kryen therjen duhet të jetë i shëndoshë nga ana mendore pa marrë parasysh nëse është burrë apo grua, musliman apo ndjekës i librave hyjnorë (çifut ose kristian). Nëse therësi ka humbur logjikën dhe është i dehur, i çmendur ose është fëmijë që nuk e ka arritur moshën e pjekurisë atëhere kjo therje nuk është e lejuar. Nuk lejohet gjithashtu ngrënia e mishit të kafshës të therur nga politeisti siç janë: idhujtari, ateisti dhe ai që e ka braktisur fenë islame.

 

  • Therja e ndjekësit të librave hyjnorë (çifutit dhe kristianit)

 

Kurtubiu tregon se Ibn Abbasi ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَلا تَأْكُلُوا مِمَّا لَمْ يُذْكَرْ اسْمُ اللَّهِ عَلَيْهِ وَإِنَّهُ لَفِسْقٌ

“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat”[76]

 

Pastaj Ai ka përjashtuar nga kjo:

 

وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حِلٌّ لَكُمْ وَطَعَامُكُمْ حِلٌّ لَهُمْ

 

“Edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta”.[77]

 

D.m.th. therja prej kristianëve dhe çifutëve edhe pse kristiani gjatë therjes thotë “Me emrin e Jezusit (Isait)”, kurse çifuti thotë “Me emrin e Uzejrit”. Kjo do të thotë se ata therin duke respektuar besimin e tyre.

Allahu ka thënë: “Hani therjen e kristianit edhe nëse ai thotë “me emrin e Jezusit” sepse Allahu e ka lejuar këtë lloj therjeje duke ditur se çfarë thonë ata”.

Kasim Bin Mukhejmereh thotë: “Hani nga therja e kristianit edhe nëse ai ther në emër të ndonjë kishe”. Këtë mendim kanë edhe Zehriu, Rebia, Sha’biu dhe Mekhuli. Kjo është transmetuar nga dy shokët e Profetit (s.a.u.s.), Ebu Derdau dhe Ibadeh Bin Samit.

Një grup, ku përfshihen edhe Aliu, Aishja dhe Bin Omeri kanë thënë: “Nëse dëgjon kristianin ose çifutin të therë jo në emër të Zotit atëhere mos e hani atë”. Të këtij mendimi janë edhe Tausi dhe Hasani, të cilët mbështeten në fjalën e Allahut:

 

وَلا تَأْكُلُوا مِمَّا لَمْ يُذْكَرْ اسْمُ اللَّهِ عَلَيْهِ وَإِنَّهُ لَفِسْقٌ

“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat”[78]

Malikiu ka thënë se kjo nuk është e pëlqyeshme por nuk e ka ndaluar atë.

 

  • Therjet e Mexhusëve dhe Sabiinëve[79]

 

Juristët islamë kanë mëndime të ndryshme rreth therjeve të Mexhusëve (ndjekësve të Mazdaizmit të cilët adhurojnë zjarrin) bazuar edhe në ndryshimet mes tyre në lidhje me origjinën e kësaj feje. Disa prej tyre mendojnë se mexhusët janë ndjekës të një libri hyjnor siç ka thënë edhe Aliu (r.a.), kurse të tjerët thonë se ata janë politeistë.

Dijetarët të cilët mendojnë se mexhusët janë ndjekës të një libri hyjnor i kanë lejuar therjet e tyre duke u bazuar në fjalën e Allahut:

 

وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حِلٌّ لَكُمْ وَطَعَامُكُمْ حِلٌّ لَهُمْ

“Edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta”.[80]

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Trajtoni ata (Mexhusët) në të njëjtën mënyrë si ndjekësit e librave hyjnorë (çifutët dhe kristianët).”[81]

Në lidhje me mexhusët, Ibn Hazmi ka thënë: “Ata janë ndjekës të një libri hyjnor prandaj zbatoni ndaj tyre të njëjtat dispozita sikurse ndaj të krishterëve dhe çifutëve”. Të këtij mendimi janë edhe Ebu Thevri dhe Dhahirijtë.

Ndërsa shumica e juristëve islamë i kanë ndaluar therjet e mexhusëve duke i konsideruar ata idhujtarë. Në lidhje me therjen e Sabiinëve dijetarët islamë janë të ndarë pro dhe kundër lejimit të tyre.

 

  1. Mjeti i përdorur gjatë therjes duhet të jetë i mprehtë në mënyrë që të arrijë ta presë grykën dhe të nxjerrë gjakun si p.sh.: thika, guri, druri, shpata, xhami, kallami dhe eshtrat me përjashtim të dhëmbëve dhe thonjve.
  2. a) Maliku transmeton se një grua ka qënë duke ruajtur delet kur njëra prej tyre u dëmtua dhe ajo e theri atë me një gur. Kur Profeti (s.a.u.s.) u pyet rreth kësaj, ai ka thënë: “Nuk ka problem që të hahet.”[82]
  3. b) Transmetohet se Profeti (s.a.u.s.) është pyetur: “A mund të therim me gur dhe me shkop?”. Ai u përgjigj: “Bëjeni këtë me shpejtësi sepse çfarë e nxjerr gjakun duke u përmendur emri i Allahut (xh.sh.) lejohet që të hahet mishi i therur prej saj, përveç dhëmbëve dhe thonjve”. Transmetuar nga Muslimi 1558.
  4. c) Profeti e ka ndaluar therjen sipas rregullave të djallit,[83] që do të thotë të theret kafsha dhe t’i rrjepet lëkura pa i prerë dy damarët e qafës.[84]

Këtë hadith e ka nxjerrë Ebu Davudi nga Ibn Abbasi. Në vargun e këtij transmetimi gjendet edhe Amr Ibn Abdullah Es-Senaniu. Hadithi është i dobët.

 

  1. Prerja e fytit dhe gurmazit, pa kushtëzuar ndarjen e tyre ose prerjen e dy damarëve të qafës,[85] të cilët janë rrugë ushqimi dhe jo frymëmarrje. Me këtë realizohet edhe qëllimi i therjes që është marrja e jetës. Edhe në rast se i shkëputet koka plotësisht nuk ndalohet ngrënia e këtij mishi. Lejohet gjithashtu prerja nga ana e sipërme e qafës me kusht që thika të arrijë të presë fytin edhe gurmazin.

 

  1. Të thënit “Bismilah” (Me emrin e Allahut).

Malikiu thotë: “Çdo gjë që theret pa u përmendur emri i Allahut është e ndaluar pa marrë parasysh nëse bëhet nga harresa ose me qëllim”. Të këtij mendimi janë edhe Ibn Sirini dhe një grup prej dijetarëve  islamë. Ebu Hanifja ka thënë: “Nëse nuk përmendet emri i Zotit gjatë therjes me qëllim, ndalohet ngrënia e mishit të kafshës, nëse bëhet nga harresa atëherë lejohet”. Shafiu thotë: “Lejohet ngrënia e mishit të therur pa u përmendur emri i Zotit pa marrë parasysh nëse kjo është bërë me qëllim apo gabimisht (nga harresa), mjafton që therësi të jetë prej personave të cilëve u pranohet therja.

Aishja (r.a.) transmeton se një popull i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “Disa njerëz na sjellin mish dhe nuk e dimë nëse është përmendur emri i Zotit apo jo?”. Profeti (s.a.u.s.) u ka thënë: “Përmendeni ju emrin e Zotit pastaj hajeni.”[86] Aishja shton se ata sapo kishin pranuar islamin. Nxjerrë nga Bukhariu dhe të tjerët.

 

Çfarë nuk pëlqehet gjatë therjes

 

Gjatë therjes nuk pëlqehen gjërat e mëposhtme:

  1. Kryerja e therjes me një mjet jo të mrehtë. Muslimi transmeton nga Shedad Ibn Eusi se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu e ka obliguar mirësinë për çdo gjë. Kur të vrisni bëjeni këtë në mënyrën më të mirë, kur të therni një kafshë bëjeni këtë në mënyrën më të mirë. Kushdo që ther një kafshë, le ta mprehë mire thikën që t’ia lehtësojë kafshës therjen.”[87]
  2. Ahmedi transmeton nga Ibn Omeri se Profeti (s.a.u.s.) ka urdhëruar të mprehet mirë thika dhe të mos i tregohet kafshës.[88]
  3. Thyerja e qafës së kafshës dhe rrjepja e saj para se t’i dalë shpirti. Darkutniu transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos e shpejtoni rrjepjen para se kafsha të japë shpirt.”[89]

Përsa i përket drejtimit të kafshës nga Kibla nuk ka asnjë argument rreth pëlqimit të saj.

 

Therja e kafshës duke dhënë shpirt dhe asaj të sëmurës

 

Kur një kafshë theret dhe ka ende shenja jete, lejohet ngrënia e mishit të saj, edhe nëse këto shenja nuk janë të mjaftueshme për vazhdimin e jetës së saj.

E njëjta gjë vlen edhe për kafshën e sëmurë që nuk ka shpresa për shërim me kusht që të theret e gjallë. Shenja jete konsiderohen lëvizja e gjymtyrëve të kafshës, frymëmarrja, etj.

Nëse kafsha është në një gjendje të tillë që nuk i lëviz dot gjymtyrët atëhere ajo konsiderohet e ngordhur dhe ndalohet therja e saj, duke u bazuar në fjalën e Allahut:

 

حُرِّمَتْ عَلَيْكُمْ الْمَيْتَةُ وَالدَّمُ وَلَحْمُ الْخِنزِيرِ وَمَا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ وَالْمُنْخَنِقَةُ وَالْمَوْقُوذَةُ وَالْمُتَرَدِّيَةُ وَالنَّطِيحَةُ وَمَا أَكَلَ السَّبُعُ إِلا مَا ذَكَّيْتُمْ

“Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjakun, mishin e derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, kafsha që ngordh si pasojë e marrjes së frymës,

të mbyturën, të rrëzuarën, të shpuarë (nga briri i tjetrës), atë që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë)”.[90]

Të gjitha këto janë të ndaluara përveç atyre që arrini t’i therni të gjalla.

Ibn Abbasi është pyetur rreth një deleje që ishte therur pasi e kishte sulmuar ujku duke ia çarë barkun dhe duke i nxjerrë të brëndshmet. Ai është përgjigjur: “Hajeni atë përveç çfarë është nxjerrë nga të brëndshmet”.

 

Ngritja e dorës para përfundimit të therjes (Therja me ndërprerje)

 

Në qoftë se therësi e ngre dorën para plotësimit të therjes dhe pastaj rikthehet direkt për të plotësuar therjen kjo është e lejuar sepse konsiderohet se ai e ka plagosur kafshën duke e lënë të gjallë. Ky veprim përfshihet në fjalën e Allahu (xh.sh.):

إِلا مَا ذَكَّيْتُمْ

Përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë)”.

 

Plagosja e kafshës në pamundësi të therjes

 

Është e preferuar që kafshët e lejuara të theren në pjesën e caktuar të trupit nëse kjo është e mundur. Nëse jo, atëhere mund të plagosen në çfarëdo pjesë të trupit me kusht që plaga të rrjedhë gjak dhe kjo konsiderohet vrasje e lejuar. Rafia Bin Khadixhi tregon se ka qenë me Profetin (s.a.u.s.) në një udhëtim kur njëra prej deveve të tyre u largua nga të tjerat dhe nuk kishin kalë që ta kapnin. Një burrë e qëlloi atë me shigjetë duke e plagosur. Profeti (s.a.u.s.) tha: “Këto kafshë janë të tërbuara sikurse kafshët e egra. Sikurse veproi ky burrë me këtë deve, veproni edhe ju”. Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

Ahmedi dhe autorët e Sunenit transmetojnë nga Ebu Ashrau, i cili tregon se babai i tij ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, a është therja e lejuar vetëm në gurmaz dhe në pjesën e sipërme të krahërorit?”. Profeti (s.a.u.s.) iu pergjigj: “Nëse e qëllon në kofshë atëhere kjo e zëvëndëson therjen.”[91]

Ebu Davudi ka thënë: “Kjo lejohet vetëm për kafshët e rrëzuara (nga një vend i lartë) dhe të egra”. Tirmidhiu ka thënë: “Kjo lejohet vetëm në rast domosdoshmërie kur kafsha egërsohet, merr arratinë, ose bie në ujë dhe kemi frikë se mos mbytet. Në këto raste e vrasim duke e qëlluar me thikë ose shigjetë në mënyrë që të rrjedhë gjak. Kjo gjë është e lejuar”.

Bukhariu transmeton se Aliu, Ibn Abbasi, Ibn Omeri dhe Aishja kanë thënë: “Kafshët të cilat nuk i kap dot konsiderohen si kafshët e gjahut. Kafsha e cila bie në një pus theret si të jetë e mundur”[92]

 

Therja e kafshës në barkun e nënës (Therja e embrionit)

 

Në qoftë se embrioni i kafshës del i gjallë nga barku i nënës atëhere ai duhet të theret. Në qoftë se theret e ëma dhe embrioni është në barkun e saj, atëherë therja e së ëmës konsiderohet edhe therja e tij pa marrë parasysh nëse është i gjallë ose jo. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë në lidhje me embrionin e kafshës: “Therja e së ëmës është edhe therja e tij.”[93] Ahmedi, Ibn Maxhe, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Darkutniu dhe Ibn Habani e kanë transmetuar këtë hadith nga Ebu Saidi. Ibn Hibani ka thënë se hadithi është i saktë.

Ibn Mundhiri ka thënë: “Edhe Ali Bin Ebu Talib, Said Bin El-Musejjib, Ahmedi, Is’haku dhe Shafiu janë të mendimit se therja e nënës konsiderohet njëkohësisht edhe therje e embrionit pa marrë parasysh nëse del i gjallë ose jo”. Ai ka shtuar gjithashtu se asnjë nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) dhe dijetarët nuk e kushtëzojnë ngrënien e embrionit me therjen e tij, përveç asaj që është transmetuar nga Ebu Hanifja.

Ibn Kajjimi ka thënë: “Tradita Profetike e saktë e ka thënë qartazi se therja e nënës është njëkohësisht edhe therja e embrionit duke e përjashtuar nga rregulli bazë që e ndalon të ngordhurën”.

Si përgjigje mund të themi se ai i cili e ka ndaluar të ngordhurën ka përjashtuar prej saj peshkun dhe karkalecin. Për më tepër, embrioni nuk konsiderohet i ngordhur por pjesë prej pjesëve të nënës. Kur theret nëna, konsiderohen të therura të gjitha pjesët e saj dhe nuk është e nevojshme të theren të gjitha pjesët një e nga një. Rregullat bazë e konfirmojnë se embrioni është pjësë e pandashme nga nëna. Nuk është e mundur që të mos e lejonte këtë Tradita Profetike kur kjo është e vërtetuar nga analogjia dhe rregullat bazë. Në këtë çështje përputhen argumentet, rregullat bazë dhe analogjia.

 

Gjuetia

 

Përkufizimi i saj:Gjuetia është kapja e kafshës së lejuar dhe të egër  nga natyra e cila nuk është e mundur që të theret.

Gjykimi fetar ndaj saj:

Gjuetia është e lejuar duke u bazuar në fjalën e Allahut:

 

وَإِذَا حَلَلْتُمْ فَاصْطَادُوا

“E kur të hiqni ihramin, atëherë gjahtoni”.[94]

Të gjitha llojet e gjuetisë janë të lejuara me përjashtim të gjuetisë në vendet e shënjta, siç e kemi sqaruar në kapitullin e haxhit. Gjuetia në det (peshkimi) është e lejuar në të gjitha rastet, kurse Gjuetia në tokë është e ndaluar vetëm në rastin e veshjes së ihramit me qëllim vizitën e vendeve të shenjta. Allahu (xh.sh.) thotë:

 

أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ الْبَحْرِ وَطَعَامُهُ مَتَاعًا لَكُمْ وَلِلسَّيَّارَةِ وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ الْبَرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُمًا

 

“Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët, kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram”.[95]

 

Gjuetia e ndaluar

 

Gjuetia e lejuar është ajo e cila ka për qëllim therjen sipas dispozitave islame. Në rast se jo, atëhere ajo është e ndaluar.

 

Dëmtimi i kafshëve pa qellim përfitimi

 

Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar vrasjen e kafshëve kur ajo nuk kryhet me qëllim ngrënien e tyre.

Nesaiu dhe Ibn Habani transmetojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kushdo që vret një zog për t’u zbavitur, deri në ditën e gjykimit zogu do të ankohet tek Allahu (xh.sh.) duke thënë: “O Zot, ky njeri më ka vrarë mua për t’u zbavitur dhe jo për qellim përfitimi.”[96]

Muslimi transmeton nga Ibn Abbasi se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos e merrni diçka që ka shpirt si shenjë për ta qëlluar.”[97]

Një ditë Profeti (s.a.u.s.) pa disa njerëz që e kishin vënë një zog si shënjë për ta qëlluar dhe ai u tha: “Allahu e ka mallkuar atë që e bën këtë.”[98]

 

Kushtet e gjahtarit

 

Gjuetari, që të lejohet ngrënia e gjahut të tij,duhet të plotësojë kushtet e therësit të kafshës që janë: të jetë musliman ose ndjekës i librave hyjnorë (çifut ose kristian). Gjahu i çifutit, i kristianit dhe i atyre që trajtohen si ata, është sikurse të therurat e tyre siç e kemi sqaruar në temën e therjes sipas dispozitave islame.

 

 

Gjuetia me armë gjahu dhe me kafshë

 

Gjuetia mund të kryhet me armë gjahu siç janë: shtiza, shpata, shigjeta, etj. Në lidhje me këtë Allahu (xh.sh.) ka thënë:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَيَبْلُوَنَّكُمْ اللَّهُ بِشَيْءٍ مِنْ الصَّيْدِ تَنَالُهُ أَيْدِيكُمْ وَرِمَاحُكُمْ

 

O ju që besuat, Allahu do t’ju sprovojë me diçka nga gjahu që e arrijnë duart ose shigjetat tuaja”[99]

Gjuetia mund të kryhet edhe me kafshë gjahu. Allahu i Madhëruar thotë:

 

يَسْأَلُونَكَ مَاذَا أُحِلَّ لَهُمْ قُلْ أُحِلَّ لَكُمْ الطَّيِّبَاتُ وَمَا عَلَّمْتُمْ مِنْ الْجَوَارِحِ مُكَلِّبِينَ تُعَلِّمُونَهُنَّ مِمَّا عَلَّمَكُمْ اللَّهُ فَكُلُوا مِمَّا أَمْسَكْنَ عَلَيْكُمْ وَاذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَيْهِ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ سَرِيعُ الْحِسَابِ

 

“Të pyesin ty (Muhammed), çka u është lejuar atyre? Thuaju: “U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira dhe ai (gjahu) i kafshëve të gjahut që i mësoni ashtu si ju ka mësuar juve Allahu. Hani pra, atë që kafshët e gjahut kapin për ju dhe më parë përmendeni emrin e Allahut. Kini frikë nga Allahu sepse Ai është i shpejtë në llogari.”[100]

Ebu Thalebeh El Khishnij tregon se i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguar i Allahut, ne jetojmë në një vend gjuetie dhe gjuajmë me hark dhe me qen të mësuar dhe të pa mësuar. Cili nga ky gjah na lejohet?. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Çfarë gjuani me hark duke e përmendur emrin e Allahut hajeni, dhe çfarë gjuani me qen të pamësuar duke e arritur të gjallë dhe ta therësh  hajeni.”[101] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

 

Kushtet e gjahut me armë

 

Gjahu me armë duhet të plotësojë këto kushte:

  1. Arma duhet ta shpojë dhe të depërtojë në trupin e kafshës. Adij Bin Hatimi e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, ne jemi popull që gjuajmë, na trego çfarë na lejohet neve?”. Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “U lejohet juve të hani ato që i keni therur duke e përmendur emrin e Allahut (xh.sh.) dhe që e keni shpuar.”[102]

Sheukaniu ka thënë: “Kjo tregon se çfarë merret në konsideratë është që arma ta shpojë kafshën pa marrë parasysh nëse i merrë jetën apo e lë gjallë.

Gjithashtu lejohet Gjuetia me armët bashkëkohore që funksionojnë me barot dhe plumb sepse plumbi e shpon kafshën më shumë se armët e tjera dhe si pasoje konsiderohet e lejuar. Edhe pse gjahtari nuk e arrin gjahun e gjallë mjafton që ai të përmendë emrin e Allahut (xh.sh.)”.

Kurse ndalimi i ngrënies se kafshës së qëlluar me armë dhe që nuk arrihet të theret, siç përmendet në hadith, nënkupton kafshët e qëlluara me një lloj arme që qëllon me gjyle prej argjile dhe jo kafshët e qëlluara nga armët moderne që funksionojnë me barot dhe plumb. Islami e ka ndaluar ngrënien e kafshëve të vrara me armë që qëllojnë me gjyle argjile. Islami ka ndaluar gjithashtu gjuetinë me guralecë dhe çfarë i ngjason atyre. Profeti (s.a.u.s.) e ka sqaruar këtë duke thënë: “Me gurë nuk gjuhet gjahu dhe nuk vritet armiku, ato vetëm mund të thyejnë dhëmbët dhe qërrojnë sytë.”[103]

Në të njëjtën mënyrë është e ndaluar vrasja me shtypje duke përdorur një shkop ose diçka të ngjashme vetëm në rast se kafsha arrihet e gjallë dhe theret. Adij Bin Hatim i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “Unë i gjuaj kafshët duke i qëlluar me armë”. Profeti i ka thënë: “Nëse i gjuan me armë dhe ajo i shpon haje, nëse arma vetëm i shtyp, mos i ha.”[104]

2-Gjuetari duhet të përmendë emrin e Zotit kur të qëllojë gjahun. Dijetarët islamë janë të gjithë të një mendimi se përmendja e emrit të Allahut është dispozitë fetare duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ebu Thalebe, të cilin e kemi përmendur më parë, dhe në disa hadithe të tjera. Gjithsesi, dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me gjykimin fetar ndaj saj. Ebu Theuri, Esh-Shabiu, Daud Edh-Dhahiriu dhe grupi i dijetarëve të hadithit mendojnë se të përmendurit e emrit të Allahut është kusht për lejimin e ngrënies së kafshës në të gjitha rastet. Nëse nuk përmendet emri i Allahut atëherë ajo është e ndaluar pa marrë parasysh nëse kjo bëhet me paramendim ose nga harresa. Ky është transmetimi më i qartë nga Ahmedi. Ebu Hanifja thotë: “Përmendja e emrit të Zotit është kusht, nëse kjo gjë nuk bëhet nga harresa, lejohet ngrënia e gjahut, nëse bëhet me paramendim atëhere nuk lejohet ngrënia e tij”. I këtij mendimi është edhe Malikiu. Shafiu dhe një grup i malikijve mendojnë se përmendja e emrit të Allahut është synet. Nëse nuk përmendet, qoftë edhe me qëllim, gjahu është i lejuar të hahet. Ata mendojnë se përmendja e emrit të Allahut është e pëlqyeshme.

 

Kushtet e gjuetisë me kafshë gjahu

 

Gjuetia me kafshë gjahu si p.sh. me fajkua, leopard, qen ose kafshë të tjera të cilat mund të mësohen, është e lejuar nëse plotësohen këto kushte:

Kafsha e gjahut duhet të jetë e stërvitur. Me këtë nënkuptojmë që ajo vepron sipas urdhërave të gjahtarit.

Ta kapë gjahun për gjahtarin dhe jo me qëllim që ta hajë vetë. Në qoftë se e ha kjo do të thotë se e ka kapur gjahun për vete dhe për pasojë ky gjah nuk lejohet. Adij Bin Hatim transmeton se Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nëse e lëshon qenin tënd të stërvitur duke e përmendur emrin e Allahut atëhere haje gjahun që ai ka kapur për ty. Nëse qeni e ha gjahun atëhere ai gjah është i ndaluar për ty sepse kam frikë se ai e ka kapur gjahun për vete.”[105]

Të lëshohet kafsha e gjahut duke e përmendur emrin e Allahut. Gjykimin fetar rreth përmendjes së emrit të Allahut e kemi sqaruar më përpara, ndërsa qëllimi i lëshimit të kafshës së gjahut është një ndër kushtet e gjuetisë. Në qoftë se kafsha e gjahut ikën vetë pa e lëshuar i zoti i saj, atëherë gjahu i kapur prej saj nuk lejohet. Ky është mendimi i Malikut, Shafiut, Ebu Theurit dhe disa mendimtarëve të tjerë, të cilët gjykojnë se në këtë rast kafsha e gjahut e ka kapur gjahun për vete pa e lëshuar gjahtari. Ky rast nuk përputhet me hadithin e sipërpërmendur: “Nëse e lëshon qenin tënd të stërvitur duke e përmendur emrin e Allahut atëhere haje gjahun që ai ka kapur për ty. Nëse qeni e ha gjahun atëhere ai gjah është i ndaluar për ty sepse kam frikë se ai e ka kapur gjahun për vete.” Kafsha e gjahut e cila nuk lëshohet nga gjahtari nuk e plotëson kushtin e gjuetisë së lejuar. Atau dhe Euzaiu kanë thënë: “Lejohet ngrënia e gjahut të saj nëse është nxjerrë për gjah dhe është e stërvitur.”

 

Pjesëmarrja e dy kafshëve në gjueti

 

Lejohet që dy kafshë gjahu të marrin pjesë në gjueti me kusht që secili prej tyre të lëshohet nga gjahtari për këtë qëllim. Nëse lëshohet vetëm njëri, atëherë gjahu i tjetrit nuk lejohet të hahet duke u bazuar në fajalët e Profetit (s.a.u.s.): “Me të vërtetë ti ke lëshuar (duke thënë Bismilah) qenin tënd dhe jo një qen tjetër.”[106]

 

Gjuetia me qenin e çifutit dhe të kristianit

 

Lejohet Gjuetia e muslimanit duke përdorur kafshët e gjahut të çifutit dhe të kristianit,pasi kjo është e njëjta gjë sikurse përdorimi i thikës së tyre për therje.

 

 

Kapja e gjahut gjallë

 

Në qoftë se gjahtari e kap gjahun të gjallë, pasi i janë këputur gurmazi dhe damarët, i janë copëtuar gjymtyrët dhe i kanë dalë të brendshmet, atëherë ai lejohet të hahet pa e therur.

Në qoftë se gjahtari e kap gjahun në gjendje jete të qëndrueshme, atëherë ai duhet që ta therë atë sipas dispozitave islame, përndryshe ai nuk është i lejuar.

 

Gjahu i gjetur i ngordhur pasi është qëlluar

 

Nëse gjahtari e qëllon gjahun dhe e gjen atë më vonë të ngordhur, ky gjah është i lejuar nëse plotësohen këto tre kushte:

  1. Të mos jetë rrëzuar nga një lartësi ose të mos ketë rënë në ujë dhe për pasojë ngordhja e tij të ketë ardhur nga rrëzimi ose mbytja. Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Adij Bin Hatimi se Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë atij: “Nëse qëllon me shigjetë duke përmendur emrin e Allahut dhe e gjen kafshën të vrarë, haje atë. Në rast se e gjen atë në ujë mos e ha sepse ti nuk e di me siguri nëse e ka mbytur shigjeta jote apo uji.”[107]
  2. Gjahtari duhet ta dijë me siguri se është ai i cili e ka vrarë kafshën dhe jo dikush tjetër, duke përfshirë edhe ndonjë kafshë grabitqare. Adij Bin Hatimi tregon se i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, unë e qëlloj gjahun dhe të nesërmen e gjej shigjetën time të ngulur në të”. Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nëse e di me siguri se shigjeta jote e ka mbytur dhe nuk gjen në të shenja të ndonjë kafshe grabitqare haje atë.”[108]

Sipas një transmetimi të Bukhariut, Profeti është pyetur: “Ne e qëllojmë gjahun dhe i humbim gjurmët e tij për dy-tre ditë pastaj e gjejmë të vrarë me shigjetën e ngulur në të”. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë “Nëse dëshironi mund ta hani.”[109]

  1. Të mos prishet dhe të mos marrë erë, pasi në këtë rast bëhet e ndyrë dhe e dëmshme gjë që e urren dhe e përbuz natyra njerzore.

Muslimi transmeton se Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Ebu Thalebe El-Khishniut “Në qoftë se e qëllon gjahun me shigjetën tënde dhe e gjen pas tre ditësh, haje atë nëse nuk është prishur.”[110]

 

Kurbani (Sakrifica)

 

Përkufizimi i tij: Kurban quhet deveja, lopa ose të imëtat e therura ditën e kurbanit (ditën e dhjetë të Dhulhixhes) dhe gjatë ditëve të Teshrikut (ditën e 11-të, 12-të dhe 13-të të Dhulhixhes) me qëllim për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar.

 

Ligjshmëria e tij:

Allahu i Madhëruar e ka ligjëruar kubanin duke thënë:

 

إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ. فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ. إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الأَبْتَرُ

 “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe pri kurban për hir të Zotit tënd! E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”.[111]

 

وَالْبُدْنَ جَعَلْنَاهَا لَكُمْ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ لَكُمْ فِيهَا خَيْرٌ

“Dhe devetë (therjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të Allahut, dhe ju prej tyre keni dobi”[112]

Profeti (s.a.u.s.) ka therur kurban, gjithashtu edhe besimtarët muslimanë të gjithë e kanë bërë këtë.

Vlera e kurbanit

 

Tirmidhiu transmeton nga Aishja se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Vepra e njeriut më e pëlqyer tek Allahu ditën e sakrificës është therja e kurbanit. Kurbani vjen ditën e gjykimit me brirët, lëkurën dhe thundrat e tij, kurse gjaku i tij ngrihet tek Allahu para se të bjerë në tokë. Përmirësoni shpirtrat tuaj me Kurban.”[113]

Statusi i tij ligjor

 

Kurbani është “sunneh muekkede” (sunnet i fortë) dhe lënia e tij për atë që ka mundesi është e papëlqyeshme. Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi se: “Profeti (s.a.u.s.) ka bërë kurban me duart e tij dy desh laramanë dhe me brirë duke përmendur emrin e Allahut (xh.sh.) dhe duke thënë “Allahu Ekber.”[114]

Muslimi transmeton nga Ummu Seleme se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kur të shikoni hënën e Dhulhixhes dhe dikush nga ju dëshiron të bëjë kurban, mos të shkurtojë (prekë) flokët dhe thonjtë.”[115]

Fjala e Profetit (s.a.u.s.) “dëshiron të bëjë kurban” tregon se kurbani është sunnet (Traditë Profetike dhe jo vaxhib “obligim”). Transmetohet se Ebu Bekri dhe Omeri nuk kanë therur Kurban në emër të familjeve të tyre nga frika se kjo do të merrej si obligim.

Ibn Hazmi ka thënë se asnjëri nga sahabët nuk e ka konsideruar Kurbanin obligim, kurse Ebu Hanifja mendon se ai është i detyrueshëm për ata që kanë mundësi duke përjashtuar udhëtarët. Për këtë ai është bazuar tek fjala e Profetit (s.a.u.s.) “Kush ka mundësi dhe nuk ther Kurban, ai të mos i afrohet vendit ku falemi.”[116] Transmetuar nga Ahmedi dhe Ibn Maxheh. Hakimi thotë se hadithi është i saktë kurse Imamët thonë se hadithi është “meukuf”.

 

Kur është kurbani i obliguar

 

Kurbani është i obliguar vetëm në dy raste:

  1. Kur dikush zotohet se do e therë një kurban, mbështetur në fjalën e Profetit (s.a.u.s.): “Kush zotohet se do t’i bindet Zotit, atëherë le t’i bindet Atij.”[117]

Në qoftë se personi që është zotuar vdes, atëherë lejohet që dikush tjetër ta plotësojë atë për të cilën ai është zotuar para se të vdesë.

  1. Në qoftë se thotë: “Kjo është për Zotin” ose “Kjo është për kurban”. Sipas Malikiut, në qoftë se dikush e blen një kafshë me qëllim që ta bëjë kurban, atëherë kurbani bëhet obligim.

 

Urtësia e ligjshmërisë së kurbanit

 

Allahu i Lartësuar e ka ligjëruar kurbanin si përkujtim për Ibrahimin (s.a.u.s.) dhe për t’ua shpërndarë njerëzve ditën e Bajramit. Profeti (s.a.u.s.) thotë: “Ditët e Bajramit janë ditë feste, për të ngrënë, për të pirë dhe për të përkujtuar Allahun (xh.sh.).”[118]

 

Cilat janë kafshët e lejuara për kurban

 

Kafshët e lejuara për kurban janë vetëm: devetë, lopët dhe dhëntë (delet dhe dhitë). Përveç këtyre tre llojeve, kafshët e tjera nuk janë të lejuara për kurban. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

لِيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الأَنْعَام ِوَلِكُلِّ أُمَّةٍ جَعَلْنَا مَنْسَكًا

Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e Allahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët.”[119]

Është kusht që delja të ketë mbushur të paktën 6 muaj, dhia një vit, lopa dy vjet dhe deveja pesë vjet. Kjo vlen si për mashkullin ashtu edhe për femrën e këtyre llojeve.

  • Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Ebu Hurejra e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke thënë: “Kurbani më i mirë është delja e re[120].”[121]
  • Ukbetu Bin Amir tregon se i ka thënë Profetit (s.a.u.s.) se atij i kishte rënë për pjesë një dash i ri dhe Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Bëje atë kurban.”[122] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
  • Muslimi transmeton nga Xhabiri se Profeti (s.a.u.s.)ka thënë: “Bëni kurban vetëm kafshët e rritura, nëse nuk mundeni atëherë therni delet e reja.”[123] Me “kafshë të rritura” nënkuptojmë deven që ka mbushur pesë vjet, lopën që ka mbushur dy vjet, dhinë që ka mbushur një vit dhe delen që ka mbushur një vit ose gjashtë muaj duke marrë parasysh mendimet e ndryshme të dijetarëve të cilat i kemi përmendur më lart.

 

Kurbani me kafshë të tredhura

 

Ahmedi transmeton nga Ebu Rafi’a se Profeti (s.a.u.s.) ka bërë kurban dy desh laramanë të tredhur sepse mishi i tyre është më i mirë dhe më i shijshëm.

 

Kafshët e ndaluara për kurban

 

Ndër kushtet e kurbanit është që kafsha të mos ketë të meta. Nuk lejohet kurbani me kafshë me të meta siç janë:

  1. kafsha që dallohet që është e sëmurë.
  2. kafsha që dallohet se është e verbër.
  3. kafsha që dallohet se është e çalë.
  4. kafsha që është e çmendur (e ndërkryer).

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Katër lloje kafshësh nuk lejohen për kurban. Kafsha që dallohet se është e verbër, e sëmurë, e çalë dhe e dobësuara e cila nuk e zgjedh barin.”[124] Transmetuar nga Tirmidhiu i cili ka thënë se hadithi është “hasen sahih” (i mirë dhe i saktë).

  1. kafsha me vesh të prerë dhe me brirë të thyer në masë të konsiderueshme.

Këtyre kafshëve u shtohen edhe: kafsha pa dhëmbë, kafsha që nuk kullotë dhe kafsha e zgjebosur.

Lejohet për kurban kafsha e tërbuar, kafsha me një organ mangut, kafsha shtatzënë dhe kafsha që ka lindur pa vesh ose i është këputur gjysma e veshit ose bishtit. Sipas Shafijve, nuk lejohet për kurban kafsha me bisht ose gji të prerë, pasi kështu asaj i është hequr një pjesë e mishit.

Shafiu ka thënë: “Nuk dimë ndonjë hadith të Profetit (s.a.u.s.) në lidhje me dhëmbët e kafshës së kurbanit.”

 

Koha e therjes së kurbanit

 

Kurbani duhet të theret ditën e Bajramit pas lindjes së diellit dhe pasi të ketë kaluar koha e faljes së namazit të Bajramit. Pas kësaj kohe lejohet therja e kurbanit në çdo kohë (ditën ose natën) gjatë tre ditëve të Bajramit. Pasi të kalojnë këto tre ditë mbaron dhe koha e therjes së kurbanit. El-Berrau (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ditën e Bajramit e fillojmë duke u falur pastaj kthehemi (në shtëpi) dhe therim kurbanët. Kush e zbaton këtë ka zbatuar traditën tonë. Kush ther para faljes së namazit të Bajramit, e therura e tij është mish për familjen e tij dhe jo kurban.”[125]

Ebu Berde thotë: Profeti (s.a.u.s.) na ka folur ditën e kurbanit duke na thënë: “Kush falet si ne, drejtohet nga Kibla dhe ther kurban si ne, të mos e therë kurbanin para se të falet”.[126]

Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kush ther para namazit, ka therur për veten e tij. Kush ther pas namazit dhe Hutbes (ligjëratës) së Bajramit, ai e ka plotësuar kurbanin e tij dhe e ka zbatuar traditën e muslimanëve”.[127]

 

Mjaftueshmëria e një kurbani për një familje

 

Nëse dikush bën kurban një dele ose një dhi, ajo i mjafton atij dhe familjes së tij. Shokët e Profetit (s.a.u.s.) kanë therur nga një dele për veten e tyre dhe për familjet e tyre. Therja e kurbanit është sunet kifaje. Ibn Maxhe transmeton se Ebu Ejubi ka thënë: “ Në kohën e Profetit (s.a.u.s.), shokët e tij thernin kurban nga një dele për vete dhe për familjet e tyre, hanin prej saj dhe u jepnin të tjerëve derisa njerëzit filluan të mburren dhe është bërë siç e shikon”.Tirmidhiu ka thënë se hadithi është i saktë.

 

Lejimi i kurbanit të përbashkët

 

Lejohet kurbani i përbashkët kur është deve ose lopë. Deveja ose lopa është e mjaftueshme për shtatë persona të cilët kanë për qëllim të bëjnë kurban për t’u afruar tek Allahu (xh.sh.).

Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Xhabiri ka thënë: “Kemi therur kurban me Profetin (s.a.u.s.) në Hudejbije deven për shtatë persona dhe lopën për shtatë persona”.[128]

 

Shpërndarja e mishit të kurbanit

 

Është sunet që personi që bën kurban të hajë prej tij, t’u japë të afërmëve dhe ta shpërndajë atë si lëmoshë për të varfërit. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Hani prej tij, ushqeni të tjerët dhe rezervoni prej tij”.[129]

Dijetarët kanë thënë: “Më e mira është që një e treta të hahet, një e treta të jepet si lëmoshë dhe një e treta të ruhet”. Lejohet që mishi i kurbanit të transportohet edhe në vende të tjera. Nuk lejohet shitja e mishit dhe e lëkurës së kurbanit (Nuk lejohet që t’i jepet kasapit nga mishi i kurbanit si shpërblim, por atij duhet t’i jepet shpërblimi i punës në forma të tjera).Mishi i kurbanit përdoret vetëm për t’u ngrënë për vete dhe për tua dhënë të tjereve si lëmoshë.

Sipas Ebu Hanifes lejohet shitja e lëkurës së kurbanit dhe me vlerën e çmimit të saj t’u jepet lëmoshë të varfërve ose të blihet diçka e dobishme për shtëpinë.

 

Sakrifikuesi ta therë vetë kurbanin e tij

 

Është rregull që personi që di të therë, ta therë vetë kurbanin e tij dhe të thotë: “Bismil-lah, Allahu Ekber, O Zot, kjo është prej filanit- dhe thotë emrin e tij

”.

Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojë se kur Profeti (s.a.u.s.) ka therur një dash ka thënë: “Bismil-lah, Allahu Ekber, O Zot, kjo është prej meje dhe prej atij që nuk ka bërë kurban nga populli im.”[130]

Në qoftë se personi nuk di të therë, atëherë ai duhet të jetë i pranishëm gjatë therjes së kurbanit të tij. Profeti(s.a.u.s.) i ka thënë Fatimes: “O Fatime, eja të shikosh therjen e kurbanit tënd. Me rënien e pikës së parë nga gjaku i kurbanit të falen të gjitha mëkatet që ke bërë. Pastaj thuaj:

 

إِنَّ صَلاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَاي وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ لا شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

 “Vërtet Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botërave. Ai nuk ka shok. Me këtë (bindjen për të adhuruar vetëm Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)![131]

Njëri prej shokëve të tij i tha: “O i dërguari i Allahut, a është ky kurban vetëm për ty dhe familjen tënde apo për të gjithë besimtarët?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Për të gjithë besimtarët”.[132]

 

Therja e kafshës kur lind një fëmijë

 

Statusi i saj ligjor:

Therja e kafshës kur lind një fëmijë është sunneh muekkede (sunnet i fortë), edhe nëse babai i fëmijës është i varfër. Profeti (s.a.u.s.) e ka bërë këtë, ashtu edhe shokët e tij. Autorët e Sunenit transmetojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka therur nga një dash për Hasanin dhe Husejnin.”[133]

Lejthi dhe Davud Edh-Dhahiriu mendojnë se therja e kafshës kur lind një fëmijë është vaxhib (e obliguar). Therja e kafshës kur lind një fëmijë ka të njëjtat rregulla me therjen e kurbanit, me përjashtim se në këtë rast nuk lejohet therja e përbashkët.

 

Vlerat e saj

 

Autorët e Suneneve transmetojnë nga Semura se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Çdo foshnjë është peng[134] i therjes së kafshës për lindjen e tij, në ditën e shtatë kur i priten flokët dhe i vendoset emri.”[135]

Të pestët transmetojnë nga Selman Bin Amir Ed-Dabiu se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kur lind djalë bëni akika, derdhni gjakun për të dhe largoni nga ai të keqën.”[136]

 

Çfarë theret për djalin dhe për vajzën

 

Është e preferuar që për djalin të theren dy dele të ngjashme në moshë dhe në pamje, kurse për vajzën një dele. Umm Kirz Al Ka’bije tregon se e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke thënë: “Për djalin theren dy dele të ngjashme, kurse për vajzën një”.[137]

Lejohet që të theret një dele për djalin siç ka vepruar Profeti (s.a.u.s.) me Hasanin dhe Husejnin (r.a) sikurse e pamë më sipër.

 

Koha e therjes

 

Therja duhet të bëhet ditën e 7-të pas lindjes nëse kjo është e mundur. Nëse jo, atëherë ajo mund të bëhet në ditën e 14-të dhe nëse përsëri nuk ka mundësi, atëherë ditën e 21-të. Nëse as kjo nuk ka mundësi, atëherë mund të bëhet në një ditë  çfarëdo.

Hadithi i transmetuar nga Bejhakiu thotë: “Therja bëhet ditën e 7-të, të 14-të ose të 21-të.”[138]

 

Therja e një kafshe për kurban dhe për lindjen e fëmijës

 

Hanbelijtë kanë thënë: “Në qoftë se dita e kurbanit (dita e 10-të e Dhulhixhes) korrespondon me ditën e therjes për fëmijën, është e mundur që të theret një kafshë për të dy rastet. Kjo është e njëjtë me rastin kur dita e Bajramit qëllon ditën e premte dhe mundet që besimtari të lahet vetëm një herë.”

 

Vendosja e emrit dhe qethja

 

Është sunnet që foshnjës t’i përzgjidhet një emër i mirë, t’i qethen flokët dhe të jepet lëmoshë në argjend në varësi të peshës së tij nëse kjo është e mundur. Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Ibn Abbasi se Profeti (s.a.u.s.) ka therur një dele për Hasanin dhe ka thënë: “O Fatime, qethja kokën dhe jep lëmoshë në argjend në varësi të peshës së tij”. E peshuam dhe pesha e tij ishte një derhem ose më pak.[139]

 

Emrat më të bukur

 

Emrat më të dashur tek Zoti janë: Abdullah dhe Abdurr-rrahman duke u bazuar në hadithin e Muslimit,[140] kurse emrat më të denjë janë: Hemmam dhe Harith[141], siç e thotë edhe hadithi i saktë.

Lejohet që të vendosen emrat e ëngjëjve, profetëve, si edhe emrat Taha dhe Jasinë. Ibn Hazmi ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakord për ndalimin e të gjithë emrave që kanë kuptimin e adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut (xh.sh.), si p.sh. Abdu Omer, Abdul Ka’beh etj.

 

Emrat e papëlqyeshëm

 

Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar vendosjen e emrave të mëposhtëm: Jesar, Rebah, Nuxhejh dhe Eflah sepse ata janë emra të cilët arabët i kanë përdorur për të sharë njëri tjetrin. Sipas hadithit të Semuras të transmetuar nga Muslimi Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos e quaj djalin tënd: Jesar, Rebah, Nuxhejh dhe Eflah sepse kjo është sikur ta quash atë “mëkatar” dhe ai nuk është i tillë”.[142]

 

Këndimi i Ezanit në veshin e foshnjës

 

Është sunnet që të këndohet ezani ne veshin e djathtë të foshnjës dhe ikameti në veshin e majtë në mënyrë që gjëja e parë që dëgjon fëmija në këtë botë të jetë emri i Allahut (xh.sh.).

Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Ebu Rafi’a (r.a.) e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke e lexuar ezanin në veshin e Hasanit, djalit të Aliut, pasi e kishte lindur Fatimja.”[143] Tirmidhiu thotë se ky hadith është i saktë.

Ibn Es-Suniju transmeton nga Hasen Ibn Ali se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kujt i lind një djalë dhe ia këndon atij ezanin në veshin e djathtë ndërsa ikametin në veshin e majtë, atij nuk do i ndodh asnjë e keqe”.[144]

 

Shpuarja e veshit të fëmijës

 

Librat e Hanbelijve thonë: “Shpuarja e veshit të vajzës për t’i vënë vathë është e lejuar dhe kjo nuk preferohet për djalin”. Kadi Khani, një prej dijetarëve të Hanefijve, ka thënë: “Lejohet shpuarja e veshit të vajzës sepse kjo është bërë që në periudhën e injorancës paraislame dhe Profeti (s.a.u.s.) nuk e ka ndaluar atë”

 

Therja për idhujt (Fera’a) dhe për madhërimin e muajit Rexheb (Atirah)

 

“Fera’a” nënkupton traditën e vjetër të arabëve për të therur të lindurin e parë të devesë për hirë të idhujve të tyre. Kurse “Atire” nënkupton therjen e një kafshe për të madhëruar muajin Rexheb.

Islami e ka ndaluar therjen me qëllim madhërimin e idhujve dhe çfarë u ngjan atyre të trashëguara nga periudha e injorancës paraislame. Feja islame e lejon vetëm therjen në emër të Zotit për mirësi dhe bujari.

Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ndalohet therja për idhujt (Fera’a) dhe për madhërimin e muajit Rexheb (Atire)”.[145]

Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë nga Nubejshe se një burrë e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) duke i thënë: “ Në përiudhën e injorancës paraislame e kemi pasur zakon që të therim një kafshë në muajin Rexheb. Çfarë na urdhëron?” Profeti (s.a.u.s.) i është përgjigjur: “Therni për hirë të Allahut në cilindo muaj qoftë për mirësi dhe bujari”. Pastaj ai e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) përsëri: “Në periudhën e injorancës paraislame e kemi pasur zakon që të therim një dele të vogël për idhujt. Çfarë na urdhëron?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Si në çdo kullotë, ashtu edhe në kullotën tënde deveja e vogël ushqehet dhe bëhet e madhe. Nëse pret derisa të rritet pastaj e ther atë dhe ua shpërndan të varfërve është më mirë për ty.”[146]

Ebu Razijni tregon se i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguar i Allahut, e kemi pasur zakon që të therim në muajin Rexheb, kemi ngrënë për vete dhe kemi ushqyer të tjerët.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nuk ka problem.”[147]

Ahmedi dhe Nesaiu transmetojnë nga Omer Bin El Harithi se një burrë e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) në Haxhin e Lamtumirës duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, çfarë na thua për therjen e devesë së vogël dhe për therjen e kafshëve në muajin Rexheb?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Kush dëshiron mund ta therë devenë e vogël dhe kush nuk dëshiron le të mos e therë atë, kush dëshiron mund të therë në muajin Rexheb nga kafshët e kurbanit dhe kush nuk dëshiron le të mos therë.”[148]

 


[1] Kuran: El Ena’m 145

[2] Kuran: El Maide 4

[3] Kuran: El A’raf 157

[4] Bukhariu: 1/393; “Kapitulli abdesit”, Tema “Papastërtitë që bien në gjalp dhe në ujë”.

  • Gjykimet për gradën e haditheve të përmendura në libër janë nga verifikimet e muhadithit të kohës, Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!). Në fillim kemi përmendur gradën e hadithit me të zeza, pastaj vendin ku ndodhet ai në librat e shejh Albanit, ose në librat e suneneve me verifikimet e shejh Albanit dhe gjykimet e tij për çdo hadith.

Nëse hadithi gjendet në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit, ose në njërin prej tyre, jemi mjaftuar vetëm me nxjerrjen e hadithit pa e përmendur gradën e tij, por vetëm vendin ku gjendet në ato libra dhe në librat e tjerë të sunetit.

[5] Kuran: En Nisa 29

[6] Kuran: El Bekare 195

[7] Bukhariu: “Kapitulli i Mjekësisë”, Tema “Pirja e Helmit dhe të mjekuarit me të…”; dhe Muslimi: “Kapitulli i Besimit”, Tema “Ndalimi i rreptë nga vrasja e vetes…”.

[8] Hadith Sahih. Imam Albani, në librin “Es Silsiletu es Sahiha” 1/443. Ai është përcjellë me zinxhir të ndërprerë (mursel-pa përmendjen e sahabiut transmetues) dhe me zixhir tjetër të lidhur gjithashtu; nga Ebu Seid el Hudri, Abdullah ibën Abas, Ubadeh ibën Samit, Aisha, Ebu Hurejra, Xhabir ibën Abdullah dhe Thealebe ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me ta! Atë e ka nxjerrë Ibën Maxheh 2340 dhe Ahmedi 1/313.

[9] Kuran: El En’am 119

[10] Kuran: El Maide 96

[11] Hadith Sahih-i saktë. Shejh Albani e ka përmendur në “Es Sahiha” 1/786, “Irvaul Galil” 1/42, dhe në këtë të dytin ka thënë: “Hadith i saktë”. E kanë nxjerrë të pestë autorët e Suneneve, ndër të cilët Tirmidhiu e ka konsideruar të saktë, dhe Maliku në “Muata” 1/22. ” Ndërsa në “Es Sahiha” thotë: “E ka nxjerrë Maliku 1/44-45 … dhe nga rruga e transmetimit të Malikut e kanë nxjerrë autorët e Suneneve e të tjerë.”

[12] Hadith Sahih. “Mishkatul Mesabih” 2/529, “Sahih et Targib uet Tarhib” 3/86.

[13] Për ndalimin e bretkocës ka disa mendime të cilat do t’i shpjegojmë në vazhdim

[14] Kuran:En-Nahl 5

[15] Kuran: El Maide 1

[16] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Në këtë kategori futen edhe rosa, pata dhe gjeli  i detit.

[17] Transmetuar nga Bukhariu. Maliku dhe Ebu Hanifja mendojnë se ngrënia e kalit është e papëlqyeshme

sepse Allahu(xh.sh.) e ka përmendur atë në Kuran për transport dhe zbukurim dhe jo për ngrënie.

[18] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

[19] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

[20] Trasmeton Tirmidhiu, në hadith të saktë: “Sahih ue Daif Suneni et Tirmidhi”, hadithi nr. 1791

[21] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

[22] Hadith Hasen ligajrihi – i mirë me përforcimin e transmetimeve të tjera. “Sahih et Targib uet Tarhib”, nr. 2266.

[23] E transmeton Buhariu: “Kapitulli i Ushqimeve” 4972, me shprehje të përafërt, Muslimi: “Kapitulli i Gjyetisë dhe Therjeve” 3603, gjithashtu me shprehje të përafërt me këtë që është përmendur.

[24] Hadith Sahih, por në tekstin e përmendur ka ndryshim në vendin e disa fjalëve dhe transmetuesi nuk është Ibën Omar por Ibën Ebi Omar: “Sahih ue Daif Suneni et Tirmidhi” 1791, “Ibën Maxheh” 3236.

[25] Kuran: El Ena’m 145

[26] Hadith Daif – i dobët. “Sahih ue Daif Suneni Ebi Daud” 3799

[27] Kuran: El Ena’m 145

[28] Hadith Hasen ligajrihi – i mirë me përforcimin e transmetimeve të tjera. “Sahih et Targib uet Tarhib”, nr. 2266.

[29] Hadithi i transmetuar për këtë është i dobët. Atë e ka nxjerrë Ebu Daudi 3797 dhe Tirmidhiu 1828; nga Sefijne. Imam Albani e ka konsideruar të dobët (Daif).

[30] Çfarë ngordh në mënyrë natyrale. Allahu e ka ndaluar ngrënien e të ngordhurës për shkak të dëmit të saj,

pasi ngordhja vjen për arsye të ndonjë sëmundjeje që kafsha ka pasur.

[31] Gjaku i derdhur (i rrjedhshëm) është ndaluar për shkak se ai është i dëmshëm, pasi dihet se gjaku është

mjedisi më i përshtatshëm për rritjen e mikrobeve.

[32] Siç thuhet në Menar, mishi i derrit është i pistë pasi ai ushqehet me gjëra të papastra. Ai

është i dëmshëm në të gjitha rajonet dhe veçanërisht në ato të nxehta. Thuhet gjithashtu

se ai ka ndikim negativ mbi moralin dhe turpin.

[33] Ky është ndalim fetar me qëllim ruajtjen e njësisë së Zotit.

[34] Ajo që ngordh si pasojë e dhunës së ushtruar mbi të.

[35] Ajo që bie nga një vend i lartë dhe ngordh.

[36] Ajo që ngordh si pasojë e shporrjes nga brirët e një kafshe tjetër.

[37] Ajo që e ka ngrënë egërsira është ë ndaluar. Në rast se e ka plagosur dhe gjendet e gjallë, atëhere ajo

lejohet të theret dhe të hahet.

[38] Ajo që është therur me qëllim adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut.

[39] Kuran: El Maide 3

[40] Kuran: El Ena’m 145

[41] Hadith Hasen-i mirë. “Gajetul Meram” 1/41

[42] Hadith Sahih-i saktë. “Es Silsiletu es Sahiha” 3/111

[43] Kuran: El Ena’m 145

[44] Ky ajet ka zbritur në Meke  prandaj  çdo gjë që e ka ndaluar Profeti (s.a.u.s.) apo  është ndaluar në të tjera ajete të Kuranit i bashkohet këtij ajeti (d.m.th. është e ndaluar gjithashtu). Ky konsiderohet shtim i një gjykimi nga Allahu i Madhëruar nëpërmjet fjalëve të proefetit (s.a.u.s) .Thotë (Kurtubiu) : Ky është gjithashtu mendimi i shumicës së dijetarëve të Fikhut dhe Hadithit.

[45] Kuran: El Ena’m 145

[46] Hadith Sahih-i saktë. “Mishkatul Mesabih” 1/35

[47] E transmeton  Buhariu: “Kapitulli i Therjeve dhe Gjyetisë”, Muslimi: Kapitulli i Gjyetisë dhe Therjeve”, nr. 4995 etj.

[48] Buhariu: “Kapitulli i Luftërave”, Tema “Lufta e Hajberit”, Muslimi: “Kapitulli i Gjyetisë dhe Therjeve”, tema “Ngrënia e mishit të kalit” 4997. Por që të dy këta e transmetojnë me shprehjen: “…por dha lejë për ngrënien e mishit të kalit.”

[49] Buhariu: “Kapitulli i Luftërave”, Tema “Lufta e Hajberit”, Muslimi: “Kapitulli i Gjyetisë dhe Therjeve”, tema “Ndalimi i ngrënies së mishit të gomarit të butë” 4992.

[50] Muslimi: 4970, “Kapitulli i Gjyetisë dhe Therjeve”

[51] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1/777

[52] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3786, me verifikim e shejh Albanit.

[53] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3719, me verifikim e shejh Albanit.

[54] Hadith Hasen-Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3811, me verifikim e shejh Albanit.

[55] Kuran: El A’raf 157

[56] Kuran: El A’raf 157

[57] Ndjekësit e shkollës malikijje e konsiderojnë korbin të lejuar sikurse të gjithë shpendët e tjerë.

[58] Buhariu: “Kapitulli i Haxhit”, Tema “Kafshët që i lejohet muhrimit t’i vrasë”. Muslimi: “Kapitulli i Haxhit”, Tema “Kafshët që preferohet për muhrimin dhe të tjerët që t’i vrasin”.

[59] Zog me kokë të madhe, bark të bardhë dhe kurriz të jeshil.

[60] Hadith Sahih. “Sahih el Xhami” 6968, “Sahih et Targib ue Terhib” 2990.

[61] Kuran: El Bekare 29

[62] Hadith Daif – i dobët. “Gajetul Meram” 4. Ky është mendimi përfundimtar i shejh Albanit për këtë hadith, pasi që e kishte konsideruar të mirë me përforcimin e transmetimit tjetër, por më pas iu bë e qartë se transmetimi tjetër është edhe më i dobët se ky, kështu që hadithi nuk ngrihet në gradën Hasen, por ai është i dobët.

[63] Hadith Hasen – i mirë. “Sunenu et Tirmidhi” 1726, me verifikimin e shejh Albanit.

[64] Buhariu: 6745, “Kapitulli i të mbrojturit me Kuranin dhe Sunetin”, Tema “Mospëlqyeshmëria e pyetjeve të shumta…”, Muslimi: “Kitabul Fadail”, Tema “Madhërimi i Pejgamberit dhe mospyetja e tij pyetje të shumta për gjëra të panevojshme”.

[65] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 5/325

[66] Kuran: Merjem 64

[67] Shafijtë dhe Zejdijtë e kanë lejuar ngrënien e mishit të njeriut në rast se nuk gjendet asnjë lloj tjetër dhe    sipas disa kushteve. Hanefijtë dhe Dhahirijtë e kanë kundërshtuar këtë duke thënë se nuk lejohet ngrënia e  mishit të njeriut edhe nëse është i vdekur.

[68] Kuran: En Nisa 29

[69] Kuran: El Bekare 173

[70] Hadith me zinxhir transmetuesish të dobët. “Sunenu Ebi Daud” 3817, me verifikimin e shejh Albanit

[71] Hadith me zinxhir transmetuesish të mirë. “Sunenu Ebi Daud” 3816, me verifikimin e shejh Albanit

[72] Buhariu: “Kapitulli i Mjekësisë”, Tema “Obligueshmëria e të vizituarit e sëmurit”.

[73] Hadith Sahih. Muslimi 3670, Musned Ahmed 18107, Tirmidhi 1969

[74] Hadith Daif – i dobët. “Sunenu Ebi Daud” 3874, me verifikimin e shejh Albanit, “Gajetul Meram” 66, “El Mishkat” 4538.

[75] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3683, me verifikimin e shejh Albanit

[76] Kuran: El Ena’m 121

[77] Kuran: El Maide 5

[78] Kuran: El Ena’m 121

[79] Religjon në mes të Mazdaizmit dhe Kristianizmit që beson në influencën e yjeve.

[80] Kuran: El Maide 5

[81] Hadith Daif – i dobët. “Gajetul Meram” 43

[82] Buhariu me shprehje të përafërt., Maliku 928

[83] Hadith Daif – i dobët. “Sunenu Ebi Daud” 2826, me verifikimin e shejh Albanit, “El Irvau” 2531

[84] Duke e lënë derisa të ngordhë.

[85] Të këtij mendimi janë Shafiu dhe Ahmedi, ndërsa Maliku dhe Ebu Hanifja thonë se therja nuk konsiderohet e saktë nëse nuk pritet gurmazi dhe dy damarët e qafës.

[86] Buhariu: “Kapitulli i shitblerjes”, tema “Kush nuk i sheh vesveset dhe të ngjashmet me to prej të dyshimtave”, 1916, Ibën Maxheh 3165

[87] Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Urdhëri për therje të mirë dhe mprehje të thikës”.

[88] Hadith Sahih. “Sahih et Targib uet Terhib” 1091

[89] Hadith Daif. “Irva el Galil” 2541

[90] Kuran: El Maide 3

[91] Hadith Munker – i refuzuar. “Sunenu Ebi Daud” 2825, me verifikimin e shejh Albanit

[92] Buhariu: “Kapitulli i Therjeve”, Tema: “Kafsha që egërsohet është njësoj si egërsira”.

[93] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2827, me verifikimin e shejh Albanit

[94] Kuran: El Maide 2

[95] Kuran: El Maide 96

[96] Hadith Daif – i dobët. “Sunenu En Nesai” 4446, me verifikimin e shejh Albanit

[97] Muslimi: “Kapitulli i Gjuetisë dhe therjeve”, tema “Ndalimi nga gjuajtja e bagëtive”

[98] Buhariu: “Kapitulli i Therjeve dhe gjuetisë” dhe Muslimi: “Kapitulli i Gjuetisë dhe therjeve”, transmetojnë hadith të përafërt me këtë, kështu: “Transmetohet nga Seid ibën Xhubejr se ka thënë: “Ibën Umeri kaloi pranë disa njerëzve të cilët kishin vendosur një pulë për shënjestër dhe e qëllonin atë, dhe kur panë Ibën Umerin u shpërndanë dhe u larguan nga ajo. Ibën Umeri tha: “Kush e bëri këtë? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka mallkuar atë që vepron kështu.”

[99] Kuran: El Maide 94

[100] Kuran: El Maide 4

[101] Pjesë nga hadithi të cilin e transmeton Buhariu “Kapitulli i therjeve dhe gjuetisë”, tema: “Gjuetia me hark”, dhe Muslimi “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Gjuetia me qenë të mësuar”.

[102] Ibën Maxheh 3212, me këtë tekst: “Nga Adij ibën Hatim, ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Ne jemi një popull që merremi me gjueti.” Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nëse gjuan dhe e shpon kafshën, atëherë haje atë që shpon.” Me shprehje të përafërt me këtë e transmeton edhe Buhariu 5055.

[103] Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë”, tema “Lejimi i mjeteve ndihmuese për gjueti dhe kundër armikut”.

[104] Buhariu: “Kapitulli i therjeve dhe gjuetisë”, Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Gjuetia me qenë të mësuar.

[105] Buhariu: “Kapitulli i therjeve dhe gjuetisë”, tema “Nëse ha qeni prej gjahut”, Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Gjuetia me qenë të mësuar”.

[106] Buhariu: “Kapitulli i therjeve dhe gjuetisë”, tema “Nëse gjen te gjahu qen të huaj”, Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Gjuetia me qenë të mësuar”.

[107] Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Gjuetia me qenë të mësuar”

[108] Hadith Sahih. “Sunenu et Tirmidhi” 1468, me verifikimin e shejh Albanit

[109] Buhariu: “Kapitulli i therjeve dhe gjuetisë”, tema “Kur gjahu të humbet për dy apo tre ditë”

[110] Muslimi: “Kapitulli i gjuetisë dhe therjeve”, tema “Kur të humbet gjahu pastaj e gjen”, por pa përmendur shprehjen “pas tre ditësh”

[111] Kuran: El-Kevther

[112] Kuran: El Haxh 36

[113] Hadith Daif – i dobët. “Sunenu et Tirmidhi” 1493, “Sunenu Ibën Maxheh” 3126, me verifikimet e imam Albanit.

[114] Buhariu: “Kapitulli i kurbaneve”, tema “Tekbiri kur ther kafshën”, Muslimi: “Kapitulli i kurbaneve”, tema “Preferenca e të therurit kurban dhe e therjes së saj vetë pa ngarkuar dikënd”.

[115] Muslimi: “Kapitulli i kurbaneve”, tema “Ndalimi i heqjes së qimeve…”

[116] Hadith Hasen, por meukuf (si fjalë e sahabiut) është më e qëndrueshme se sa i ngritur tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem). “Sunenu Ibën Maxheh” 3123, “Sahih et Targib uet Terhib” 1087.

[117] Buhariu 6202, “Sunenu Ebi Daud” 1862.

[118] Muslimi (1926) e transmeton kështu: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie dhe pirje.”

[119] Kuran: El Haxhxh 34

[120] Ajo që ka mbushur 6 muaj sipas Hanefijve, dhe sipas mendimit më të saktë të Shafijve, ajo që ka mbushur një vit.

[121] Hadith Daif – i dobët. “Ed Daife” 64, “El Irva” 1143, e ka nxjerrë Tirmidhiu 1499

[122] Buhariu 5121, Muslimi 3634

[123] Muslimi 3631

[124] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 4/361, “Sunenu et Tirmidhi” 1497.

[125] Buhariu 912: “Kapitulli i Xhumasë”, tema: “Hutbja pas Festës”, Muslimi 3627

[126] Muslimi 3626, Nesai 4318; nga El Bera dhe jo nga Ebu Burdeh

[127] Buhariu 5120, Muslimi 3624

[128] Muslimi 2322, Ebu Daud 2426, Tirmidhiu 1422

[129] Buhariu 5143

[130] Hadith Sahih me përforcimin e haditheve që dëshmojnë për të. “Sherh el Akijde et Tahavije”, nga shejh Albani. Hadithi transmetohet nga autorët e suneneve, por pa fjalën: “O Zot!”

[131] Kuran: El-Ena’m 162-163

[132] Hadith Munker – i refuzuar. “Es Silsiletu ed Daife” 2/15

[133] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2841, por në transmetimin e Nesait thuhet: “Nga dy desh për secilin” dhe ky është transmetimi më i saktë.

[134] Rritja e tij e mire dhe e sigurtë varet nga therja e kafshës për lindjen e tij

[135] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2838, “Ibën Maxheh” 3165, Tirmidhi 1522, me verifikimet e shejh Albanit.

[136] Buhariu 5049: “Kitabul Akika”, “Sunenu Ebi Daud” 2456

[137] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2835

[138] Hadith Sahih. “Sahih el Xhami” 4132, “Es Sunenu el Kubra lil Bejhaki” 9/303

[139] Hadith Hasen – i mirë. “El Irva” 1175, “Sunenu et Tirmidhi” 1519.

[140] Bëhet fjalë për hadithin e transmetuar nga Muslimi 3975; nga Ibën Umer ka thënë: Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Emrat tuaj më të dashur tek Allahu janë “Abdullah” dhe “Abdurrahman.”

[141] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 4950

[142] Muslimi 3985; “Kitabul Adab”

[143] Hadith Hasen – i mirë. “Sunenu et Tirmidhi” 1566, “Sunenu Ebi Daud” 5105

[144] Hadith Meudu – i trilluar. “Es Silsiletu ed Daife” 1/491

[145] Buhariu 5051; “Kitabul Akika”, Muslimi 3652; “Kitabul Edahi”

[146] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2830, “Nesai” 4229, “Ibën Maxheh” 3167, me verifikimet e shejh Albanit.

[147] Hadith Sahih. “Sunenu en Nesai” 4233

[148] Hadith Daif – i dobët. “Irvaul Galil” 1181. Hadithin e ka nxjerrë Ahmedi 3/485 dhe Nesai 2/190