Hadithet e Haxhit nga libri Umdetul Ahkam

 


Nga libri: “Umdetu el Ahkam” – Esenca e Dispozitave të Sheriatit

Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi

Përktheu: Bledar Albani


KAPITULLI  I  PELEGRINAZHIT (HAXHI)

Tema

Mikatet –vendet e përcaktuara për veshjen e Ihramit dhe bërjen e nijetit për Haxh apo Umra

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përcaktoi vendin e quajtur “Dhul Hulejfe” për banorët e Medines. Ndërsa për banorët e Shamit caktoi “El Xhuhfe”, për banorët e Nexhdit “Karne el Menazil”, për ata të Jemenit “Jelemlem”. Këto vende janë për këta banorë dhe për të tjerët që kalojnë nga ato kur shkojnë për haxh apo për umra. Ndërsa për ata që banojnë më pranë Mekës se këto vende, atëherë vendi i ihramit të tyre është vendnisja e tyre. Po kështu edhe banorët e Mekës (e bëjnë nijetin dhe veshin ihramin) nga shtëpitë e tyre.”[1]
  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Banorët e Medines e bëjnë ihramin që nga Dhul Hulejfe, banorët e Shamit nga El Xhuhfe dhe ata të Nexhdit nga Karni.” –Thotë: Më kanë treguar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ndërsa banorët e Jemenit e bëjnë Ihramin në Jelemlem.”[2]

Tema

Çfarë rrobash vesh muhrimi (pelegrini)

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se një burrë tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë rrobash i lejohet muhrimit te veshë? –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Atij nuk i lejohet të veshë këmishë, as imame (çallmë a të ngjashme me të), as shallvare, as xhybe, as shoshone (çisme), përveç atij që nuk gjen sandale (apo pandofla), ky të veshë shoshone por t’i presë ato poshtë kyçeve të këmbëve. As të mos veshë rrobe të cilat i ka prekur zeaferani (bimë për ngjyrosjen e rrobave) dhe parfumi.”[3]
  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke mbajtur hutbe në Arafat, të thotë: “Kush nuk gjen sandale (apo pandofla), të veshë shoshone, dhe kush nuk gjen izar (copë që vendoset nga mezi e poshtë), të veshë shallvare; këto janë për muhrimin (pelegrinin).”[4]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se telbijeti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte kështu: “Lebbejke Allahume lebbejke. Lebbejke la sherike leke lebbejke. Innel hamde uen niamete leke. Uel mulke la sherike leke” (që do të thotë: Të përgjigjem Ty, O Zoti im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty, dhe Ti je i Pashoq. Falenderimi të takon vetëm Ty dhe Mirësia është vetëm prej Teje. Vetëm i Yti është edhe sundimi. Ti je i Pashoq.”

-Ndërsa Abdullah ibën Umer shtonte: “Lebbejke lebbejke. Ue seadejke. Uel hajru bijedejke, uer ragbau ilejke uel amelu” (Të përgjigjem Ty, të përgjigjem dhe të përgjërohem! E mira është e gjitha në Duart e Tua dhe kërkesa jonë drejtohet vetëm tek Ty, edhe vepra jonë.”[5]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje e cila beson Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të udhëtojë në distancën e një ditë-nate, veçse në shoqërinë e një të afërmi të saj (me burrin ose me dikë me të cilin nuk i lejohet martesa).”

Në transmetimin e Buhariut thuhet: “Nuk i lejohet asaj të udhëtojë në distancën e një dite (rrugë) veçse e shoqëruar me një të afërm të saj.”[6]

 

Tema

Shpagimi për pelegrinin i cili qeth flokët para kohës së caktuar me arsye

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Meakil se ka thënë: U ula te Keab ibën Uxhra dhe e pyeta atë për shpagimin e qethjes së kokës para kohe nga pelegrini dhe ai tha: “Gjykimi për këtë ka zbritur për mua posaçërisht dhe për ju përgjithësisht. Më mbartën për tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa morrat më binin në fytyrë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Nuk besoja që sëmundja jote të kishte arritur në këtë gjëndje. A të gjendet një dele? – Jo, -thashë unë. –Atëherë agjëro tri ditë, ose ushqe gjashtë të varfër (një vakt ushqimi), për çdo të varfër nga gjysëm tasi (ushqim apo hurma).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urdhëroi atë që të jepte një enë ushqim (me tre tasa) për gjashtë vetë, ose të therte një dele, ose të agjëronte tre ditë.”[7]

 

Tema

Shenjtëria e Mekës

 

  1. Transmetohet nga Ebu Shurejh –Huvejlid ibën Amër- el Huzai el Adavi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai i tha Amër ibën Seid ibën el Asit –i cili dërgonte grupet e pelegrinëve për në Mekë: O princ! Më lejo të të them një fjalë të cilën e ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një ditë pas çlirimit të Mekës. Fjalë të cilën e dëgjuan veshët e mi, e nxuri zemra ime dhe e panë sytë e mi kur ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e tha atë: Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falenderoi Allahun dhe e lavdëroi Atë, pastaj tha: “Mekën e ka bërë të ndaluar (të shenjtë) Allahu i Lartësuar dhe jo njerëzit. Kështu që nuk i lejohet askujt që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, që të derdhë gjak në të dhe as të presë prej pemëve të saj. Nëse ndokush justifikohet me luftën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në të, ju thoni: Allahu ia lejoi këtë gjë të Dërguarit të Tij dhe nuk ua ka lejuar juve. Në të vërtetë, kjo m’u lejua mua vetëm për pak kohë nga dita, pastaj u kthye ndalimi i saj sot, ashtu siç ka qenë edhe dje. Ai që është prezent t’ia komunikojë atij që nuk është prezent.”

Ebu Shurejhit i thanë: Po ty ç’të tha? –Unë e di më mirë se ty këtë, o Eba Shurejh! Haremi (shenjtëria, vendi i ndaluar i Mekës) nuk mbron ndonjë kriminel, as ndonjë të arratisur me gjak (që ka vrarë dikë) dhe as të arratisurin tradhëtar.”[8]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në ditën e çlirimit të Mekës tha: “Nuk ka më hixhra (emigrim nga Meka në Medine), por xhihad dhe nijet (të sinqertë). Kur të kërkoheni për xhihad, përgjigjuni thirrjes!”

Atë ditë, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu tha: “Këtë qytet Allahu e ka bërë të ndaluar (të shenjtë) që në ditën kur krijoi qiejtë dhe tokën dhe ai do të jetë i shenjtë me shenjtërimin që i ka bërë Allahu deri në Ditën e Kijametit. Në këtë vend nuk i është lejuar lufta askujt para meje, majde edhe mua nuk më është lejuar veçse një pjesë nga koha e një dite. Ky vend është i shenjtë me shenjtërimin që i ka bërë Allahu deri në ditën e Kijametit; nuk lejohet prerja e gjembaçëve të tij, as trembja e gjahut, as marrja e të gjeturës vetëm në rast rrëfimi të saj dhe as nuk këputet bari i tij.”

Abasi tha: O i Dërguari i Allahut! Me përjashtim të Idhhirit (lloj bime), sepse ai i duhet farkëtarit dhe për shtëpitë e tyre.

-“Përveç Idhhirit, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[9]

Tema

Çfarë lejohet të vritet në Mekë prej kafshëve

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Pesë prej kafshëve janë të ligë dhe lejohet që ato të vriten edhe në Harem (vendin e ndaluar të Mekës): sorra, qifti, akrepi, miu dhe qeni i tërbuar.”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Pesë të ligë duhen vrarë në vend të lejuar apo në vend të ndaluar…”[10]

 

Tema

Hyrja në Mekë

 

  1. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në Mekë në vitin e çlirimit të saj dhe në kokë kishte përkrenaren e tij. Kur e hoqi atë, erdhi një burrë dhe i tha: Ibën Hatali është kapur në mbulesën e Kabes. –Vriteni atë, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[11]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në Mekë nga Kida (emër gryke mali), nga ngushtica e sipërme e Bat’hasë dhe doli nga ngushtica e poshtme e saj.”[12]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), usame ibën Zejd, Bilali dhe Uthman ibën Talha hynë në Kabe dhe mbyllën derën. Kur e hapën atë, unë isha i pari që hyra brenda (në Kabe) dhe takova Bilalin, të cilin e pyeta: A u fal i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) brenda në Kabe? –”Po”, -tha ai, në vendin ndërmjet dy këndeve të Jemenit (nga drejtimi i Jemenit).”[13]

 

  1. Transmetohet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai shkoi te guri i zi dhe e puthi atë, pastaj tha: Unë e di mirë që ti je një gur, që nuk bën dëm e as të sjell dobi, e sikur të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të të puthte, unë nuk do të të puthja.”[14]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij hynë në Mekë, idhujtarët thanë: Po iu vijnë disa njerëz të cilët i ka dobësuar virusi (ethet) e Jethribit (Medines). Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi shokët e tij që të ecnin me ecje të shpejtë dhe hapa të vegjël në tre xhirot e para të tavafit, por nga këndi i Jemenit deri te këndi i gurit të zi të ecnin me ecje normale. Ata nuk i pengoi nga ecja me shpejt në të gjitha xhirot veçse mëshira e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për ta që të mos lodheshin.”[15]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: “E pashë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur hyri në Mekë dhe u kthye nga këndi i gurit të zi –në fillim të tavafit-, pastaj eci me ecje të shpejtë në tre xhirot e para.”[16]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: “Në haxhin e Lamtumirës, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri tavafin rreth Kabes i hipur mbi deve dhe e përshëndeste këndin e gurit të zi me bastun.”[17]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të përshëndesë prej këndeve të Kabes veçse dy këndet e Jemenit (nga drejtimi i Jemenit).”[18]

 

Tema

Haxhi i formës Temetu[19]

 

  1. Transmetohet nga Ebi Xhemra –Nasr ibën Imran ed Dubei-, se ka thënë: “E pyeta Ibën Abasin për haxhin Mutemeti dhe ai më këshilloi që ta bëja haxhin tim të asaj forme. Pastaj e pyeta për kurbanin, dhe ai tha: Për atë që e bën haxhin me këtë nijet (mutemeti) është obligim therrja e një deveje, ose e një lope, ose e një deleje, ose të bashkohet me disa të tjerë në bërjen gjak (të bashkohen shtatë vetë në një deve apo në një lopë). –Ndërsa disa njerëz nuk e pëlqenin këtë lloj të haxhit. –Unë fjeta dhe pashë në ëndërr sikur një njeri thërriste: Haxh të pranuar dhe Mut’ah të pranuar! –Atëherë shkova te Ibën Abasi dhe ia tregova atë, ndërsa ai tha: Allahu ekber! Ky është suneti i Ebu el Kasimit (Muhamedit) (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[20]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri haxhin Temetu, ku e hoqi Ihramin pas umras, në haxhin e Lamtumirës dhe theri kurban. Kurbanin ai e solli me vete që nga Dhil Hulejfe. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fillim e bëri Ihramin për Umra dhe pastaj edhe një herë tjetër (në Mekë) për haxh. Edhe njerëzit e hoqën Ihramin pas umras bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai e bëri Ihramin me nijet për Umra e pas saj për haxh. Disa prej njerëzve i kishin marrë kurbanet me vete që nga Dhil Hulejfe dhe disa prej tyre nuk kishin marrë kurban. Kur erdhi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), u tha njerëzve: “Kushdo që e ka sjellë kurbanin me vete, të mos bëjë të lejuar asgjë nga ato që i janë ndaluar me Ihramin deri sa të kryejë haxhin e tij. Ndërsa ata që nuk kanë sjellë kurban me vete, të bëjnë tavaf rreth Kabes dhe nga Safa në Merva, pastaj të shkurtojë flokët dhe të heqë Ihramin (të bëhet i lejuar). Pastaj të bëjë përsëri Ihram për haxh dhe të therë kurban. Ndërsa ai i cili nuk ka mundësi të bëjë kurban, të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet në familjen e tij.”

-Kur hyri në Mekë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri tavaf, ku së pari përshëndeti këndin e gurit të zi, pastaj në tri xhirot e para të tavafit eci me ecje të shpejtë, ndërsa në katër xhirot e tjera eci me ecje normale. Pastaj fali dy rekate pas tavafit, në Mekamu Ibrahim. Pastaj shkoi në kodrën Safa dhe bëri shtatë xhiro nga Safa në Merva dhe anasjelltas. Pastaj nuk u bë i lejuar nga asgjë prej të cilave ishte bërë i ndaluar (nuk e hoqi Ihramin), deri sa kreu haxhin e tij. Në ditën e Kurbanit (Kurban Bajramit) ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) theri kurbanin e tij, pastaj bëri tavafin e Ifadas (tavafin e haxhit) rreth Kabes, pastaj u bë i lejuar nga të gjitha ato që ishte i ndaluar. Kështu siç veproi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vepruan edhe ata të cilët e kishin sjellë kurbanin me vete.”[21]

 

  1. Transmetohet nga Hafsa, bashkëshortja e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Si është puna me njerëzit që e hoqën Ihramin pas umras, ndërsa ti jo? –Unë leva kokën dhe e solla kurbanin me vete, kështu që nuk mund të lirohem nga Ihrami deri sa ta therr atë, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[22]

 

  1. Transmetohet nga Imran ibën Husajn se ka thënë: “Ajeti për haxhin mutemeti zbriti në Librin e Allahut të Lartësuar (në suren el Bekare: 197) dhe ne e praktikuam atë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Pas kësaj nuk zbriti ndonjë ajet tjetër që ta ndalojë atë dhe as nuk ndaloi prej tij i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) deri sa ndërroi jetë. Ndërsa një burrë ka folur për të me mendjen e tij.”[23]

Buhariu thotë: Thuhet se ai ka qenë Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “Kur zbriti ajeti i mut’as –d.m.th. i haxhit mutemeti-, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që ta praktikonim atë dhe më pas nuk zbriti ajet tjetër që ta abrogonte haxhin mutemeti, e as i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ndaloi nga ai deri sa ndërroi jetë.”[24]

Këta të dy (Buhariu dhe Muslimi) transmetojnë gjithashtu hadith tjetër me të njëjtin kuptim.

 

Tema

Kurbanet

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I bëra gërshet flokët e kurbanit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj e shënova atë (duke e prerë pak në gungë që ti dalë gjak, dhe ia lë gjakun në vend) dhe ai ia lidhi flokët asaj –apo unë ia lidha- pastaj e dërgoi me dikë për në Kabe, ndërsa vet qëndroi në Medine (për disa kohë) dhe nuk iu ndalua asgjëje nga ato që i kanë qenë të lejuara.”[25]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një herë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri kurban një dele.”[26]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa një burrë i cili po tërhiqte një deve dhe i tha: Hipi asaj (e mos ec në këmbë)! –Por kjo është për kurban, -tha ai. –Hipi asaj! –ia përsëriti i Dërguari. –Pastaj e pashë atë të hipur mbi atë deve dhe të ecte nga e majta e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ia përsëriti për herë të dytë apo të tretë: Hipi asaj. Mjerë ti! –apo: I shkreti ti! (që nuk zbaton urdhërin e të Dërguarit menjëherë)”[27]

 

  1. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më ngarkoi të kujdesesha për kurbanin e tij dhe të jepja sadaka mishin, lëkurën dhe të brendshmet e saj. Ndërsa kasapit të mos i jepja asgjë nga ajo. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ne i japim atij (kasapit) nga vetja jonë (jo nga kurbani).”[28]

 

  1. Transmetohet nga Zijad ibën Xhubejr se ka thënë: “Pashë Ibën Umerin të shkonte tek një burrë i cili e kishte shtrirë devenë e tij për ta bërë kurban. Ky i tha: Therre atë të ngritur dhe të lidhur, kështu është suneti i Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[29]

 

Tema

Larja e trupit për pelegrinin

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Hunejn se: “Abdullah ibën Abasi dhe el Misver ibën Mahrame u kundërshtuan me njëri-tjetrin në vendin e quajtur El Ebvau. Ibën Abasi tha: Muhrimit (pelegrinit) i lejohet që ta lajë kokën e tij. Ndërsa Mesveri thoshte: Atij nuk i lejohet kjo gjë. –Thotë: Atëherë Ibën Abasi më dërgoi mua te Ebu Ejub el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të cilin unë e gjeta duke u larë midis dy shtyllave të tendës, dhe mbulohej nga sytë e njerëzve më rrobe. Unë e përshëndeta me selam dhe ai tha: Kush je ti? –Abdullah ibën Hunejn, -i thashë, më ka dërguar tek ti Ibën Abasi, i cili të pyet nëse e lante apo jo i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kokën e tij kur ishte muhrim (pelegrin)? –Ebu Ejubi vendosi dorën e tij mbi rrobe, e uli atë deri sa i dukej koka, pastaj i tha dikujt që i hidhte ujë atij kur lahej: Hidh ujë! Ai hodhi ujë në kokën e tij dhe ky e fërkonte kokën me të dyja duart, para e mbarapa, pastaj tha: Kështu e kam parë atë (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të veprojë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Atëherë Misveri i tha Ibën Abasit: Nuk do të të kundërshtoj më kurrë!”[30]

 

Tema

Kthimi i haxhit në umra

 

  1. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij bënë Ihram për haxh. Askush prej tyre nuk kishte sjell kurban me vete përveç të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Talhës. Pastaj erdhi Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nga Jemeni dhe tha: Unë e kam bërë nijetin e haxhit ashtu si e ka bërë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi shokët që ta kthenin nijetin e haxhit për umra; të bënin tavaf, të shkurtonin flokët dhe të liroheshin nga Ihrami, përveç atij që e kishte sjellë kurbanin me vete. –Ata thanë: A më pas të shkojmë në Mina (për haxhin), duke qenë se organi ndonjërit tonë është duke rrjedhur (pasi të kemi kryer marrëdhënie me gratë tona)?! –Kjo fjalë i shkoi të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: “Sikur të kthehej edhe një herë ajo që kaloi, unë nuk do ta kisha sjellë kurbanin me vete dhe sikur të mos e kisha kurbanin me vete, unë do të lirohesha nga Ihrami (pas umras).”

– Aishës i erdhën të përmuajshmet dhe ajo i kreu të gjitha ritet e haxhit përveç tavafit rreth Kabes. Pasi u pastrua dhe bëri tavaf rreth Kabes, ajo tha: O i Dërguari i Allahut! A të kthehen njerëzit me haxh dhe umra, ndërsa unë vetëm me haxh? –Atëherë ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi Abdurrahman ibën Ebu Bekër (vëllanë e saj) që të shkonte me të në et Tenim dhe ajo bëri umra pas haxhit.”[31]

 

  1. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Erdhëm (në Mekë) me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Lebbejeke bil haxhi” (d.m.th. kishin bërë nijjet vetëm për haxh), por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më pas na urdhëroi që ta kthenim nijjetin për umra (pastaj për haxh).”[32]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij mbërritën në Mekë në sabahun e ditës së katërt (të Dhul Hixhes) dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi ata që ta kthenin nijjetin për umra, ndërsa ata thanë: O i Dërguari i Allahut! Si të lirohemi nga Ihrami? –Plotësisht, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[33]

 

  1. Transmetohet nga Urveh ibën Zubejr se ka thënë: “Usame ibën Zejd u pyet: Si ecte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ktheheshin nga Arafati? –Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ecte ngadalë, ndërsa kur gjente boshllëk përpara, ecte më shpejt.”[34]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në një vend, në haxhin e Lamtumirës dhe njerëzit shkonin ta pyesnin (rreth haxhit). Një burrë tha: Unë nuk e ndjeva (harrova) dhe e rruajta kokën para se të therr kurbanin? –Tani pre kurbanin, se nuk ka problem, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Një burrë tjetër erdhi dhe tha: Nuk e vura re, dhe e preva kurbanin para se të gjuaj gurët? –Atëherë gjuaj gurët, se nuk ka problem. –Për çdo gjë që u pyet në atë ditë, për diçka të kryer më parë e diçka tjetër më pas, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: Bëje se nuk ka problem.”[35]

 

  1. Transmetohet nga Abdurrahman ibën Jezid en Nehai se: “Ai bëri haxh me Ibën Mesudin dhe e pa atë të gjuante në “El xhemara el kubra” me shtatë guraleca, duke e lënë Kaben në anën e majtë dhe Minan në të djathtë. Pastaj tha: Ky është vendi në të cilin atij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka zbritur surja Bekare.”[36]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O Zot! Mëshiroji ata të që e rruajtën kokën (në haxh)! –Njerëzit thanë: Po ata që i shkurtuan flokët, o i Dërguari i Allahut? – O Zot! Mëshiroji ata të që e rruajtën kokën (në haxh)!tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Ata thanë: Po ata që i shkurtuan flokët, o i Dërguari i Allahut? –Edhe ata që i shkurtuan flokët! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[37]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kryem haxhin me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në ditën e Kurbanit ne shkuam të bëjmë tavafin e Ifadas, ndërsa Safijes i erdhën të përmuajshmet. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) donte të kryente me të atë që dëshiron burri nga gruaja e tij (pas haxhit), por unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Ajo është me të përmuajshmet. –A do të na bllokoka këtu ajo ne? –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –O i Dërguari i Allahut! Ajo e ka bërë tavafin e Ifadas. –Atëherë dilni (nisuni për në Medine)! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: … Po a e bëri tavafin në ditën e Kurbanit ajo? –”Po”, i thanë. –Atëherë të largohet (nga Meka bashkë me të tjerët)! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[38]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: “Njerëzit u urdhëruan që gjëja e fundit që të bënin para ikjes të ishte tavafi rreth Kabes (tavafi i lamtumirës), përveç gruas me të përmuajshme, për të cilën u bë lehtësim (që të ikte pa e bërë tavafin e lamtumirës).”[39]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “El Abas ibën Abdulmutalib i kërkoi lejë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që të flinte në Mekë në netët e Mina-së, për shkak të shërbimit ujë njerëzve dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha lejë atij.”[40]

 

  1. Transmetohet gjithashtu nga ai –nga Ibën Umeri-, se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkoi ndërmjet namazit të akshamit dhe të jacisë në Muzdelife, ku për secilin namaz u thirr ikamet i veçantë dhe ndërmjet tyre nuk u falën sunete dhe as menjëherë pas njërit prej tyre (pas akshamit).”[41]

 

Tema

Pelegrinit i lejohet të hajë nga gjahu i dikujt që nuk është pelegrin

 

  1. Transmetohet nga Ebu Katade el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli për në haxh dhe ata dolën bashkë me të. Një grupi prej tyre -në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu Katade- ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha: Merrni rrugën nga bregdeti, deri sa të takohemi. –Ata ndoqën rrugën e bregdetit dhe kur u nisën, e bënë Ihramin për haxh që të gjithë, me përjashtim të Ebu Katades, i cili nuk e bëri Ihramin për haxh. Ndërsa ishin duke ecur, ata panë disa gomerë të egër dhe Ebu Katade i hipi kalit që të gjuante ndonjë prej tyre. Ai gjuajti një gomar femër dhe ne u ulëm dhe hëngrëm prej mishit të tij. Pastaj thamë: A të hamë mish gjahu, duke qenë se jemi pelegrinë? Kështu që e mbartëm me vete mishin që mbeti dhe kur arritëm të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pyetëm për këtë gjë, e ai tha: A i tha atij ndokush prej jush që ta gjuante atë gjah, apo t’i bënte me shenjë dhe t’ia tregonte atij? –”Jo”, -thanë ata. –Atëherë hajeni pjesën e mbetur të mishit të tij! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “A keni me vete ndopak prej mishit të tij? –”Po”, i thashë unë, dhe i drejtova atij shpatullën e tij. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hëngri prej saj.”[42]

 

  1. Transmetohet nga Es Saab ibën Xhethame el Lejthi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai i dhuroi të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një gomar të egër, kur ai ishte në Ebva (emër vendi ndërmjet Mekës dhe Medines), -apo në Veddan- dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia ktheu mbrapsht atë. Kur pa mërzitjen në fytyrën time, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ne nuk ta kthyem atë, veçse për faktin se jemi pelegrinë.”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Këmbën e një gomari të egër.” Dhe në një transmetim tjetër: “Gjysmën e një gomari të egër.” Dhe në një transmetim tjetër: “Pjesën e pasme të një gomari të egër.”[43]

[Ky hadith kuptohet me faktin se ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka menduar se ai e ka gjuajtur atë posaçërisht për të, ndërsa pelegrinit nuk i lejohet të hajë nga ajo gjuhet posaçërisht për të. “Ihkam el Ahkam” (f. 422)].


[1] E transmeton Buhariu (1524), Muslimi (1181), etj.

[2] E transmeton Buhariu (133), Muslimi (1182), etj.

[3] E transmeton Buhariu (134), Muslimi (1177), etj.

[4] E transmeton Buhariu (1841), Muslimi (1178), etj.

[5] E transmeton Buhariu (1540), Muslimi (1184), etj.

[6] E transmeton Buhariu (1088), Muslimi (1339), etj.

[7] E transmeton Buhariu (1814), Muslimi (1201), etj.

[8] E transmeton Buhariu (104), Muslimi (1354), etj.

[9] E transmeton Buhariu (1349), Muslimi (1353), etj.

[10] E transmeton Buhariu (1829), Muslimi (1198), etj.

[11] E transmeton Buhariu (1846), Muslimi (1357), etj.

[12] E transmeton Buhariu (1575), Muslimi (1257), etj.

[13] E transmeton Buhariu (397), Muslimi (1329), etj.

[14] E transmeton Buhariu (1597), Muslimi (1270), etj.

[15] E transmeton Buhariu (1602), Muslimi (1266), etj.

[16] E transmeton Buhariu (1603), Muslimi (1261), etj.

[17] E transmeton Buhariu (1607), Muslimi (1272), etj.

[18] E transmeton Buhariu (166), Muslimi (1187), etj.

[19] Haxhi Temetu është ai haxh që bëhet me nijet për umra, pastaj për t’u liruar nga Ihrami pas bërjes së umras dhe pastaj e vesh përsëri Ihramin për haxh. Haxhi i kësaj forme dhe me këtë nijet bëhet nëse shkon në Mekë para haxhit, por Brenda muajve të haxhit.

[20] E transmeton Buhariu (1567) dhe Muslimi (1242).

[21] E transmeton Buhariu (1691), Muslimi (1227), etj.

[22] E transmeton Buhariu (1566), Muslimi (1229), etj.

[23] E transmeton Buhariu (1571).

[24] E transmeton Muslimi (1226).

[25] E transmeton Buhariu (1696), Muslimi (1321), etj.

[26] E transmeton Buhariu (1701), Muslimi (1321), etj.

[27] E transmeton Buhariu (1690), Muslimi (1322), etj.

[28] E transmeton Buhariu (1707), Muslimi (1317), etj.

[29] E transmeton Buhariu (1713), Muslimi (1320), etj.

[30] E transmeton Buhariu (1840), Muslimi (1205), etj.

[31] E transmeton Buhariu (1557), Muslimi (1213), etj.

[32] E transmeton Buhariu (1570), Muslimi (1217), etj.

[33] E transmeton Buhariu (1085), Muslimi (1240), etj.

[34] E transmeton Buhariu (1666), Muslimi (1286), etj.

[35] E transmeton Buhariu (83), Muslimi (1307), etj.

[36] E transmeton Buhariu (1747), Muslimi (1296), etj.

[37] E transmeton Buhariu (1727), Muslimi (1301), etj.

[38] E transmeton Buhariu (294), Muslimi (1211), etj.

[39] E transmeton Buahriu (329), Muslimi (1328), etj.

[40] E transmeton Buhariu (1634), Muslimi (1315), etj.

[41] E transmeton Buhariu (1091), Muslimi (703), etj.

[42] E transmeton Buhariu (1821), Muslimi (1196), etj.

[43] E transmeton Buahriu (1825), Muslimi (1193), etj.