SURJA “TA HA”

SHKRONJAT “TA”, “HA”

(Surja Nr. 20, Mekase, 135 ajete)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Ta, Ha.[1]
  2. Ne nuk ta kemi zbritur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar,[2]
  3. por që të jetë kujtesë për ata që kanë frikë të përzierë me nderim (për Allahun).[3]
  4. Është shpallje nga Ai që krijoi Tokën dhe qiejtë e lartë.[4]
  5. I Gjithëmëshirshmi mbi Arshin (Fronin e Tij) është ngritur.[5]
  6. Vetëm Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë, gjithçka që gjendet mes tyre (qiejve dhe Tokës) dhe gjithçka që gjendet nën tokë.[6]
  7. Pavarësisht nëse ti e shpreh fjalën (lutjen) tënde (apo e fsheh atë) – Ai, me të vërtetë, e di atë që fshihet dhe atë që është më e fshehtë akoma.[7]
  8. Allahu, nuk ka zot tjetër që meriton adhurim përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.[8]
  9. A të ka ardhur ty (o Muhamed) historia e Musait?[9]
  10. Kur ai pa një zjarr dhe i tha familjes (gruas) së vet: “Rrini këtu, sepse pikasa një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë zjarri ose të gjej te zjarri ndonjë udhërrëfyes.”[10]
  11. Kur shkoi te zjarri, u thirr: “O Musa!
  12. Jam me të vërtetë Unë, Zoti yt! Prandaj, hiqi sandalet, sepse je në luginën e shenjtë Tuva.[11]

[1] Është folur më parë për kuptimin e këtyre shkronjave në fillim të sures el Bekare.

[2] Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty, o Muhamed, për të të mundur dhe për të vepruar mbi mundësitë e tua, duke u falur gjatë natën apo duke bërë vepra të tjera që të lodhin jashtë mase, prandaj lehtësoja vetes.

[3] Por ta kemi zbritur Kuranin që të jetë këshillë për ata që kanë frikë nga Allahu por të përzier me nderim e madhërim për Të; që i ruhen dënimit të Allahut, që shpresojnë shpërblimin e Tij dhe që e madhërojnë dhe nderojnë Atë.

[4] Ky Kuran është shpallje nga Allahu, i Cili ka krijuar Tokën dhe qiejtë e lartë në mënyrën më të përsosur.

[5] Arshi është Froni Hyjnor i Madhërishëm, i cili përfshin në gjerësinë e tij qiejtë dhe Tokën, dhe gjithçka në to dhe mes tyre; Allahu është ngritur dhe lartësuar mbi Fronin e Tij, mbi Arsh, në atë mënyrë që i përshtatet Madhështisë dhe Pushtetit të Tij.

[6] Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë, gjithçka që gjendet mes qiejve dhe Tokës dhe gjithçka që gjendet nën Tokë; Ai është Krijuesi, Zotëruesi dhe Mbajtësi e Rregulluesi i tyre.

[7] Pavarësisht nëse ti, o Muhamed, e shpreh fjalën dhe lutjen tënde, apo e fsheh atë brenda gjoksit tënd, sigurisht që Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë dhe Ai e di atë që fshihet dhe madje edhe atë që është më e fshehtë se ajo që fshihet – di atë që ti mendon dhe di gjithashtu atë që nuk e ke menduar ende por që do ta mendosh në të ardhmen, si dhe di gjithçka që ende nuk ka ndodhur dhe që nuk e di askush përveç Tij; prandaj mos e lodh veten duke shprehur me zë të lartë lutjen tënde.

[8] Allahu, i Cili është Krijuesi i Përsosur, Zotëruesi dhe Mbajtësi e Rregulluesi i gjithçkaje, është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe askush e asgjë tjetër përveç Tij. Allahu ka emrat më të bukur e më të përsorur, dhe të gjitha emrat e Tij kanë domethënie të lavdëruar dhe të përsosur, dhe nga përsosmëria dhe bukuria e tyre është se ato janë njëkohësisht edhe cilësi dhe atribute absolute të Allahut, pra nuk janë emra pa domethënie, por me domethënie të përsosur, prandaj Allahu ka urdhëruar që robët e Tij ta lusin dhe ta thërrasin Atë me të gjitha emrat e Tij, sipas rastit të përshtatshëm me llojin e lutjes dhe të asaj që këkron prej Tij.

[9] A të ka ardhur ty, o Muhamed, historia e Musait? Sigurisht që të ka ardhur, por po të tregojmë këtu disa detaje të rëndësishme që të të lehtësohet barra dhe të qetësohesh nga mundimet që të shkaktojnë idhujtarët prej popullit tënd, dhe të bësh durim ashtu si duroi edhe Musai me Faraonin dhe me popullin e vet.

[10] Historia e profetësisë së Musait fillon kur ai kishte humbur rrugën gjatë natës, ndërsa ishte duke u kthyer ne Egjipt nga Medjeni bashkë me gruan e tij, dhe atëherë pa një zjarr, dhe i tha gruas së vet: “Qëndro këtu, sepse pash një zjarr. Ndoshta sjell një urë prej tij që të ndezim një zjarr dhe të ngrohemi, ose ndoshta gjej atje dikë që mund të na tregojë rrugën.”

[11] Kur Musai shkoi te zjarri, Allahu e thirri atë: “O Musa! Jam me të vërtetë Unë, Zoti yt, prandaj hiqi sandalet, sepse je në luginën e shenjtë e të bekuar “Tuva”, në mënyrë që të përgatitesh për bisedën e drejtpërdrejtë me Zotin tënd të Madhërishëm.”

-312-


  1. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet![1]
  2. Me të vërtetë, Unë jam Allahu! Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua![2]
  3. Ora (e Kiametit) është duke ardhur – por Unë thuajse e fsheh totalisht atë – në mënyrë që çdo njeri të shpërblehet sipas asaj që vepron.[3]
  4. Prandaj, mos të të shmang prej saj (Orës së Kiametit) ai që nuk beson në të dhe që ndjek dëshirat e veta, përndryshe do të shkatërroheshe.[4]
  5. Çfarë është ajo që mban në dorën e djathtë, o Musa?”[5]
  6. Ai tha: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe me të cilin shkund gjethe për dhentë e mia; e përdor edhe për nevoja të tjera.”[6]
  7. Ai (Allahu) i tha: “Hidhe atë, o Musa!”
  8. Ai e hodhi atë, dhe papritmas, ai u bë një gjarpër i madh që zvarritej me shpejtësi.[7]
  9. Ai (Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos ki frikë! Ne do ta kthejmë atë në gjendjen e tij të mëparshme.[8]
  10. Dhe fute dorën tënde nën krah (në xhepin e rrobës) – ajo do të dalë e bardhë, pa ndonjë sëmundje – për të qenë një provë tjetër;[9]
  11. Në mënyrë që të tregojmë ty disa nga provat Tona më të mëdha![10]
  12. Shko te Faraoni, sepse me të vërtetë, ai i ka kaluar kufijtë!”[11]
  13. Ai (Musai) tha: “Zoti im! Ma zgjero kraharorin tim![12]
  14. Ma lehtëso çështjen time![13]
  15. Ma zgjidh një nyje të gjuhës sime,
  16. që ata të kuptojnë fjalën time![14]
  17. Më jep dhe një ndihmës nga familja ime,[15]
  18. Harunin, vëllanë tim!
  19. Më shto me të fuqinë time
  20. dhe ma bëj ortak në çështjen time,[16]
  21. në mënyrë që të të lartësojmë Ty shumë
  22. dhe të të përmendim Ty shumë![17]
  23. Vërtet, Ti na sheh gjithmonë!”[18]
  24. Ai (Allahu) tha: “Kërkesa jote t’u plotësua, o Musa![19]
  25. Dhe, me të vërtetë, Ne të kemi dhënë mirësi edhe herë tjetër më parë,[20]

[1] Unë të zgjodha ty nga mesi i njerëzve, o Musa, për të qenë i Dërguari Im te populli yt, prandaj dëgjoje mirë atë që të shpallet nga Unë!

[2] Me të vërtetë, Unë jam Allahu, Krijuesi, Zotëruesi dhe Mbajtësi i i Përsosur i gjithçkaje që ekziston, i Vetmi që meritoj adhurimin! Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuro me të gjitha llojet e adhurimit, të dukshme apo të padukshme, me vepër apo me zemër, dhe veçanërisht me kryerjen e namazit të rregullt ditor, i cili i përfshin të gjitha llojet e adhurimit: me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë; me qëllim që të më kujtosh Mua kur kryen namazin, dhe ky është qëllimi më i lartë i adhurimit: kujtimi i Allahut; kujtimi i Allahut është adhurimi i zemrës dhe lumturia e saj.

[3] Ora e Kiametit për ringjalljen e njerëzve është duke ardhur dhe do të vijë patjetër, por Unë thuajse e kam fshehur totalisht atë, edhe nga Vetja Ime, kështu që askush prej krijesave të Mia nuk mund ta dijë se kur do të vijë ajo; Ajo Orë do të vijë në mënyrë që çdo njeri e krijesë të shpërblehet sipas asaj që ka vepruar në dynja; qoftë për veprat e mira apo të këqia, për bindjen ndaj Allahut apo për mosbindjen ndaj Tij; secili do shpërblehet sipas asaj që ka vepruar.

[4] O Musa, mos të të shmang dhe mos të të shpërqendrojë nga besimi dhe përgatitja për Orën e Kiametit ata që nuk besojnë në të dhe që nuk punojnë për atë ditë, por që ndjekin dëshirat dhe epshet e tyre në kundërshtim me urdhrat dhe ndalesat e Allahut; përndryshe do të shkatërroheshe dhe do të mjeroheshe përgjithmonë. – Këto tre pika janë edhe bazat e besimit dhe shtylla e fesë: Besimi në Allahun, Adhurimi vetëm i Allahut dhe Besimi në Ditën e Kiametit.

[5] Pasi i sqaroi Musait bazën e besimit, Allahu donte t’i sqaronte dhe t’i tregonte atij disa mrekulli për t’i forcuar besimin dhe për t’i qetësuar zemrën si përkhrahje për të kundër armikut të tij, Faraonit; dhe kështu, Allahu i tha Musait: “Çfarë është ajo që mban në dorën e djathtë, o Musa?” Megjithëse Allahu e dinte mirë se çfarë mbante Musai në dorë, por për të tërhequr vëmendjen pikërisht në këtë pikë.

[6] Musai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem kur eci dhe me të cilin shkund gjethe nga pemët për delet e mia; e përdor edhe për nevoja të tjera.” Pra, përmendi edhe atë që mbante në dorë, po edhe shkakun përse e mbante dhe e përdorte atë; dhe përmendi dy përdorime kryesore të shkopit: njërin në shërbim të njeriut dhe tjetrin në shërbim të kafshëve, për të treguar moralin e lartë të Musait dhe përkujdesjen që ai tregonte për bagëtitë, prandaj edhe Allahu e zgjodhi atë për të qenë i dërguari i Tij. Pastaj tha që e përdorte edhe për gjëra të tjera, ndoshta me qëllimin që Allahu ta pyeste për ato gjërat e tjera, që të zgjaste sa më shumë bisedën me Allahun.

[7] Musai (alejhis selam) e hodhi shkopin në Tokë, dhe papritmas, ai u shndërrua në një gjarpër të madh që zvarritej me shpejtësi, sikur të ishte gjarpër i vogël që ka mundësi të lëvizë shpejtë (siç përshkruhet në ajetin 10 të suren En Neml, dhe në ajetin 31 të sures El Kasas). Musai pa diçka shumë madhështore dhe të frikshme njëkohësisht, kështu që iku me vrap nga frika.

[8] Allahu i tha Musait: “Merre gjarprin dhe mos ki frikë, sepse Ne do ta kthejmë atë në shkop, ashtu si ishte më parë.

[9] Dhe fute dorën tënde nën krah, në xhepin e rrobës, o Musa, dhe do të shohësh se ajo do të dalë e bardhë si bora, jo nga ndonjë sëmundje si lebra, por për të qenë një provë tjetër nga Allahu për ty.

[10] Po t’i japim këto mrekulli për të të treguar disa nga mrekullitë Tona më të mëdha, të cilat tregojnë për Fuqinë, Pushtetin dhe Madhështinë Tonë, si dhe për të vërtetuar profetësinë tënde dhe se ti je i dërguar nga Allahu.

[11] Shko, o Musa, te Faraoni, për ta ftuar atë në Njësimin e Allahut dhe adhurimin e Tij, sepse me të vërtetë, ai i ka kaluar kufijtë e vet dhe është ngritur kundër Zotit të tij!

[12] Musa tha: “Zoti im! Ma zgjero gjoksin dhe zemrën time që të mbaj e të perceptoj atë që do më shpallësh dhe që të kem kurajo e të duroj në thirrjen e Faraonit dhe të njerëzve!

[13] Ma lehtëso çështjen që më ke ngarkuar prej transmetimit të shpalljes Tënde dhe bindjes ndaj Teje!

[14] Më jep gjuhë të rrjedhshme dhe të qartë, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë mirë atë që do u them! Komentuesit e Kuranit tregojnë se Musai (alejhis selam) kishte një nyjë në gjuhë, të shkaktuar nga një thëngjill që e futi në gojë ditën kur Faraoni donte ta vriste atë, në mënyrë që Faraoni të mendonte se ky fëmijë nuk mund të ishte ai që do i rrëzonte pushtetin; dhe për shkak të asaj nyje, Musai (alejhis selam) nuk ishte shumë i qartë në të folur, prandaj iu lut Allahut që t’ia zgjidhte atë, në mënyrë që të arrihej synimi i plotë i transmetimit të shpalljes dhe mesazhit të Allahut.

[15] Më jep një ndihmës nga familja ime, që të më ndihmojë e të jetë krah e forcues për mua kundrejt atyre tek të cilët po më dërgon si të Dërguarin Tënd!

[16] Më forco me Harunin dhe më fuqizo krahët me të në thirrjen time, dhe bëje atë ortakun tim në detyrën time – bëje edhe atë të dërguar njësoj si më bëre mua!

[17] Në mënyrë që të të lartësojmë, të të madhërojmë e të të përmendim sa më shumë duke të të lavdëruar! – Duke qenë dy, ata do ta ndihmojnë dhe kujtojnë vazhdimisht njëri-tjetrin për madhërimin, lavdërimin dhe përmendjen e Allahut, si dhe për të gjitha adhurimet dhe detyrat e ngarkuara nga Allahu për transmetimin e shpalljes dhe mesazhit të Tij.

[18] Ti, o Zoti ynë, na sheh ne dhe e di mirë gjendjen tonë, dobësinë tonë dhe nevojën tonë për Ty në të gjitha çështjet tona; dhe Ti na sheh ne më mirë se sa e shohim ne veten tonë, dhe je më i Mëshirshëm me ne, prandaj na i plotëso me mirësinë Tënde këto që të kërkojmë dhe na jep nga mirësitë e Tua!”

[19] Allahu i tha Musait: “Kërkesa jote u plotësua dhe Unë do t’i jap të gjitha ato që kërkove, o Musa!”

[20] Përveç kësaj mirësie që po të të japim tani, duke të të zgjedhur si të dërguarin Tonë dhe duke të plotësuar kërkesat dhe lutjet e tua, Ne të kemi dhënë ty edhe një mirësi tjetër të madhe më parë, në fëmijërinë tënde, kur të shpëtuam nga tirania e Faraonit, atëherë kur i frymëzuam nënës tënde që të fuste në sënduk dhe të të hidhte në lumë, në mënyrë që mos të vriste Faraoni për shkak se linde në vitin që ai vriste të gjithë të posalindurit meshkuj të bijve të Izraelit.

-313-


  1. kur i frymëzuam nënës tënde atë që iu frymëzua:
  2. “Fute atë (foshnjën) në një sënduk dhe hidhe në lumë! Lumi le ta nxjerrë atë në breg, që ta marrë një armiku Im dhe armiku i tij.” Dhe Unë hodha mbi ty dashuri nga ana Ime, që të rritesh nën Syrin Tim.[1]
  3. Kur motra jote erdhi dhe tha: “A t’ju tregoj dikë që mund të kujdeset për të?” Dhe kështu, Ne të kthyem te nëna jote, që ajo të gëzohej dhe të mos pikëllohej më. Pastaj ti vrave një njeri, por Ne të shpëtuam nga brenga dhe të sprovuam me sprova të shumta. Dhe qëndrove disa vite në mesin e banorëve të Medjenit, pastaj erdhe këtu sipas paracaktimit (nga Ne), o Musa![2]
  4. Unë të përgatita ty për Vete.[3]
  5. Shko ti dhe vëllai yt, me provat e Mia, dhe mos reshtni së përmenduri Mua![4]
  6. Shkoni së bashku te Faraoni, sepse me të vërtetë, ai i ka kaluar kufijtë!”[5]
  7. I flisni atij fjalë të butë, se ndoshta kujtohet ose frikësohet!”[6]
  8. Ata të dy thanë: “Zoti ynë! Kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të revoltohet.”[7]
  9. Ai (Allahu) tha: “Mos kini frikë! Me të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.[8]
  10. Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, prandaj lëshoji bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i shtyp ata! Ne të kemi ardhur me një provë nga Zoti yt. Dhe, paqa është mbi këdo që ndjek rrugën e drejtë![9]
  11. Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të jetë mbi këdo që përgënjeshtron dhe kthen shpinën.”[10]
  12. Ai (Faraoni) tha: “Atëherë, kush është Zoti i ju të dyve, o Musa?”[11]
  13. Ai (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai, i Cili çdo gjëje i dha trajtën e vet, pastaj i udhëzoi ato.”[12]
  14. Ai (Faraoni) tha: “Po popujt e mëparshëm, si është çështja e tyre?”[13]

[1] Allahu i frymëzoi nënës së Musait dhe i inspiroi asaj: “Fute djalin tënd të posalindur, Musain, në një sënduk, pastaj hidhe sëndukun në lumin e Nilit. Lumi le ta nxjerrë atë në breg, pikërisht në vendin e urdhëruar nga Allahu, që ta marrë Faraoni, armiku Im dhe rmiku i tij!” Dhe Unë hodha mbi ty, o Musa, dashuri nga ana Ime, që të bëheshe i dashur për këdo që të shihte, dhe kështu të rriteshe nën Syrin Tim dhe nën përkujdesjen Time. – Po, Allahu pohon se Ai ka Sy, ashtu si i përshtatet dhe i shkon Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij.

[2] Ne të dhamë ty mirësi, o Musa, edhe atëherë kur motra jote ecte duke të të kërkuar ty, derisa të gjeti; dhe meqenëse Ne bëmë që ti të mos pranojë gjirin e asnjë gruaje tjetër përveç nënës tënde, familja e Faraonit qe të mori nga bregu i lumit, po kërkonte dikë që të mund të jepte qumësht nga gjiri dhe të kujdesej për ty, atëherë motra jote u tha tyre: “A tju drejtoj te dikush që mund ta ushqejë dhe të kujdeset për të?” Dhe kështu, Ne të kthyem te nëna jote, pasi që shkove në duart e Faraonit, armikut tënd, me qëllim që nëna jote të qetësohej që ti nuk ishe mbytur në lumë dhe as nuk të kishte vrarë Faraoni, dhe të gëzohej e të mos pikëllohej më për humbjen tënde. Pastaj ti vrave gabimisht një njeri nga Kibtinjtë, njerëzit e Faraonit, por ne të shpëtuam nga brenga e veprës tënde dhe nga frika se do të frisnin, si dhe të sprovuam me sprova të shumta, deri sa dole i frikësuar nga Egjipti në drejtim të Medjen-it, ku qëndrove disa vite në mesin e banorëve të tij, pastaj erdhe këtu, në kohën dhe vendin e paracaktuar nga Ne për të të dhënë shpalljen Tonë dhe për të të bërë të Dërguarin Tonë.

[3] Unë të përgatita ty, o Musa, duke derdhur mbi ty mirësi e mrekulli, që të jesh i dashur i veçantë për Mua dhe të arrish një gradë që nuk e arrijnë krijesat e tjera, përveç se një numër shumë i vogël prej atyre që Unë i zgjedh për Veten Time dhe për të qenë në shërbimin Tim.

[4] Shko ti, o Musa, dhe vëllai yt Haruni, me provat dhe mrekullitë e Mia që vërtetojnë Fuqinë Time dhe se Unë jam Zoti i Vetëm që meritoj adhurimin, dhe që vërtetojnë profetësinë tënde dhe se ti je i dërguari Im; dhe kurrë mos reshtni dhe mos u dobësoni së përmenduri Mua, por vazhdoni të më përmendni gjatë gjithë kohës, siç premtuat.

[5] Shkoni së bashku, ti dhe Haruni, te Faraoni, sepse ai i ka kaluar kufijtë e vet në mohim të Allahut dhe tirani ndaj njerëzve.

[6] I flisni Faraonit butësisht, se ndoshta kjo gjë do e bëjë atë të kujtohet dhe të marrë mësim, ose të frikësohet nga dënimi i Allahut dhe të kthehet nga mosbesimi dhe tirania e tij.

[7] Musai dhe Haruni thanë: “Zoti ynë! Ne kemi frikë se Faraoni do të na dënonjë menjëherë sa të shkojmë tek ai, para se t’i tranmsetojmë mesazhin Tënd dhe para se t’i ngremë argumentin, ose do të revoltohet dhe do ta kundërshtojë të vërtetën, duke u mbështetur në pushtetin, ushtrinë dhe pasuritë e tij.

[8] Allahu i tha Musait dhe Harunit: “Mos kini frikë nga dënimi i Faraonit, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh gjithçka; kështu që ju jeni në ruajtjen dhe kujdesin Tim. Kështu që atyre të dyve u kaloi frika dhe iu qetësuan zemrat me premtimin që iu bëri Zoti i tyre, dhe ishin gati për misionin e ngarkuar nga Allahu.

[9] Shkoni tek Faraoni dhe i thoni atij: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, i Cili të urdhëron të lirosh bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe të mos i shtypësh ata duke i munduar me punë të rënda e të ulëta, me të cilat je duke i shtypur. Ne të kemi sjellë një provë mrekulli nga Zoti yt, e cila tregon vërtetësinë e fjalës dhe thirrjes sonë. Dhe, paqa e shpëtimi nga dënimi i Allahut është vetëm për ata që ndjekin udhëzimin e Tij.

[10] Zoti yt, o Faraon, na ka shpallur neve se dënimi i Tij do të jetë mbi këdo që na përgënjeshtron ne, të dërguarit e Tij dhe thirrjen tonë në njësimin e Allahut, dhe që i kthen shpinën të vërtetës me të cilën kemi ardhur dhe nuk na pason ne.

[11] Musai dhe Haruni shkuan te Faraoni dhe i thanë atij ato që i kishte urdhëruar Allahu t’i thoshin, kurse ai u tha atyre në shenjë mohimi: “Atëherë, kush na qenka Zoti i ju të dyve, o Musa?”

[12] Musai (alejhis selam) iu përgjigj Faraonit: “Zoti ynë është Ai, i Cili çdo krijese i dha trajtën dhe formën e vet të përshtatshme (dhe partnerin e vet nga i njëjti lloj), pastaj e udhëzoi secilën krijesë për të kryer ato gjëra që i nevojiten për të jetuar, si ushqimi, pirja, martesa, etj.”

[13] Pasi Musai e përshkroi Zotin e tij të Madhëruar me atë që i përket Atij prej krijimit, pushtetit dhe mirësisë e bujarisë ndaj krijesave të Tij, Faraoni i tha atij: “Si është çështja e popujve të mëparshëm, të cilët nuk e besuan këtë që thua ti dhe nuk adhuruan vetëm Një Zot, por adhuruan shumë zota; A nuk janë bërë pluhur dhe janë zhdukur, dhe as nuk do të dënohen as do të shpërblehen?!”

-314-


  1. (Musai) tha: “Dijenia për ta është te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron![1]
  2. Është Ai, i Cili e ka bërë Tokën shtrat për ju, ka hapur për ju rrugë nëpër të dhe lëshon ujë nga qielli;” me të cilin bëjmë të dalin lloje të ndryshme bimësh.[2]
  3. Prandaj, hani dhe kullotni bagëtitë tuaja! Me të vërtetë, në këto ka prova për ata që kanë gjykim të shëndoshë.[3]
  4. Prej saj (Tokës) ju kemi krijuar, në të do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.[4]
  5. Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha provat Tona, por ai përgënjeshtroi dhe refuzoi.[5]
  6. Ai (Faraoni) tha: “A ke ardhur të na dëbosh nga toka jonë me magjinë tënde, o Musa?![6]
  7. Ne do të të sjellim magji të ngjashme me tënden, prandaj cakto midis nesh dhe teje një takim që nuk do ta shkelim as ne as ti, në një vend të hapur!”[7]
  8. Ai (Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e festës dhe njerëzit të tubohen paradite.”[8]
  9. Faraoni ktheu shpinën, mblodhi kurthin e vet (magjistarët), pastaj erdhi.[9]
  10. Musai u tha atyre (magjistarëve): “Mjerë ju! Mos trilloni gënjeshtër për Allahun, përndryshe Ai do t’ju shfarosë me dënim! Kushdo që trillon gënjeshtra është i dështuar.”[10]
  11. Ata (magjistarët) e diskutuan me njëri-tjetrin çështjen e tyre, duke biseduar në fshehtësi.[11]
  12. Ata (magjistarët) thanë: “Me të vërtetë, këta dy (Musai dhe Haruni) janë magjistarë, që duan t’ju dëbojnë nga toka juaj me magjinë e tyre dhe të zhdukin traditën tuaj të përkryer.[12]
  13. Prandaj, bashkojini dredhitë tuaja dhe vihuni në rresht. Me të vërtetë, do të fitojë sot ai që triumfon!”[13]

[1] Musai iu përgjigj Faraonit: “Dijenia për popujt e mëparshëm, për veprat që kanë bërë dhe përfundimin që kanë pasur dhe që do të kenë në botën tjetër, është te Zoti im, i Gjithëdijshmi, i Cili e ka regjistruar gjithçka në Librin që është tek Ai “El Leuh el Mahfudh”, kurse unë nuk kam dijeni për ta; dhe sigurisht që Zoti im nuk gabon aspak në veprat dhe drejtimin e çështjeve – nëse i ka dënuar ata popuj në këtë botë apo e ka vonuar shkatërrimin e tyre, ka vepruar të drejtën, dhe nëse e ka vonuar dënimin e tyre për në botën tjetër, ka vepruar të drejtën, sepse Ai e di çfarë bën dhe nuk gabon as nuk harron kurrë asgjë.”

[2] Musai vazhdon t’i thotë Faraonit: “Zoti im është Ai, i Cili e ka shtrirë Tokën dhe e ka bërë të përshtatshme për ju, o njerëz, që të jetoni mbi të e të përfitoni prej saj; është Ai që ka hapur për ju rrugë nëpër Tokë, që të mund të udhëtoni nëpër të për dobinë tuaj; dhe është Ai që zbret shi nga qielli;” Këtu përfundon fjala e Musait, pastaj Allahu i drejtohet Faraonit dhe të gjithë njerëzve: Nëpermjet shiut, Ne nxjerrim nga Toka dhe bëjmë të rriten lloje të ndryshme bimësh, për të mirën tuaj.

[3] Prandaj, hani, o njerëz, nga të mirat që Ne i bëjmë të dalin nga Toka me anë të shiut, dhe kullotni prej tyre edhe bagëtitë e kafshët tuaja! Me të vërtetë, në të gjitha këto që u përmendën ka prova të qarta që tregojnë për fuqinë e Allahut dhe mirësitë e Tij ndaj krijesave të Tij, dhe se Ai është Zoti juaj i Vetëm, i Cili meriton të adhurohet, por ato prova janë për njerëzit që kanë gjykim dhe mendje të shëndoshë, që mendojnë dhe marrin mësim, në mënyrë që t’i kuptojnë si duhet dhe të madhërojnë vetëm Krijuesin e tyre.

[4] Nga Toka ju kemi krijuar, o njerëz, në të do t’ju kthejmë kur të vdisni dhe nga ajo do t’ju nxjerrim të gjallë edhe një herë tjetër si herën e parë, për të dhënë llogari dhe për t’u shpërblyer.

[5] Ne ia treguam Faraonit të gjitha provat dhe mrekullitë Tona që argumentojnë Fuqinë Tonë dhe vërtetësinë e mesazhit të Musait dhe Harunit, por ai i përgënjeshtroi ato dhe refuzoi të pranonte të vërtetën dhe të adhuronte vetëm Allahun, duke bërë mendjemadhësi dhe kryeneçësi.

[6] Pasi i pa mrekullitë dhe provat e Allahut, Faraoni tha: “A ke ardhur të na nxjerrësh nga toka dhe shtëpitë tona me këtë magjinë tënde, o Musa?!

[7] Ne do të të sjellim magji të ngjashme me magjinë tënde, o Musa, prandaj cakto mes nesh dhe teje një takim, ku nuk do të mungojmë as ne as ti, në një vend të hapur dhe të sheshtë ku të jemi të barabartë, dhe do të shohim se kush do triumfojë mbi tjetrin.”

[8] Musai i tha Faraonit: “Takimi ynë do të jetë ne ditën e festës, kur njerëzit zbukurohen dhe bashkohen për të festuar, duke ardhur nga të gjitha krahinat e afërta apo të largëta të Egjiptit, dhe koha e takimit do të jetë paradite, kur njerëzit të jenë tubuar.

[9] Faraoni u largua duke i kthyer shpinën të vërtetës që i erdhi nga Allahu me Musain, mblodhi magjistarët e tij për të ngritur kurthin kundër Musait, pastaj erdhi bashkë me magjistarët e tij në ditën e takimit siç e kishte caktuar Musai.

[10] Musai u tha magjistarëve të Faraonit në ditën e takimit, duke i këshilluar dhe paralajmëruar ata: “Kujdes! Mos shpifni gënjeshtër për Allahun me mashtrimin qe i bëni njerëzve me magjinë tuaj, duke përkrahur të pavërtetën dhe gënjehtrën tuaj dhe të Faraonit kundrejt të vërtetës që është nga Allahu, Krijuesi juaj, përndryshe Allahu do tju shfarosë me dënim prej Tij! Sigurisht, ai që shpif gënjeshtër për Allahun është e predispozuar që të dështojë e të humbë.”

[11] Pas paralajmërimit të Musait, magjistarët diskutuan me njëri-tjetrin për çështjen e Musait dhe të Harunit, duke biseduar në fshehtësi që të mos i dëgjonte njeri. Thuhet se disa prej tyre thanë: “Këto nuk janë fjalë magjistari – për fjalët e Musait.”

[12] Në fund të diskutimit, magjistarët thanë: “Me të vërtetë, Musai dhe Haruni janë dy magjistarë, që duan tju dëbojnë nga vendi juaj me magjinë e tyre dhe të zhdukin përfundimisht traditën e përkryer të magjisë suaj, dhe kështu të mbetet vetëm magjia e tyre;

[13] Prandaj, thanë magjistarët, bashkojini dredhitë e magjive tuaja pa u përçarë me njëri-tjetrin dhe vihuni të gjithë në një rresht, dhe i hidhni magjitë tuaja përnjëherë, që t’i magjepsni sytë e njerëzve dhe ta mundni magjinë e Musait dhe vëllait të tij. Me të vërtetë, sot do të fitojë atë që dëshiron ai që do ta mundë tjetrin dhe do të triumfojë mbi të.”

-315-


  1. Ata (magjistarët) thanë: “O Musa! Ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët!”[1]
  2. Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe befas – nga magjia e tyre – atij iu duk se litarët dhe shkopinjtë e tyre po zvarriteshin.[2]
  3. Atëherë Musai ndjeu një frikë në vetvete.[3]
  4. Por Ne i thamë: “Mos u frikëso, se me të vërtetë, ti je triumfuesi![4]
  5. Hidhe atë (shkopin) që mban në dorën e djathtë dhe ai do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata nuk është gjë tjetër veçse një dredhi e magjistarit; e, magjistari kurrë nuk mund të ketë sukses kudo që të shkojë.”[5]
  6. Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe të Musait.”[6]
  7. Ai (Faraoni) tha: “A i besuat atij, para se t’ju jap leje?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjinë. Unë do t’jua pres duart dhe këmbët tuaja në mënyrë të tërthortë dhe do t’ju kryqëzoj në trungjet e palmave. Atëherë do ta shihni mirë se dënimi i cilit prej nesh është më i ashpër dhe më i përhershëm.”[7]
  8. Ata (Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave të qarta që na kanë ardhur, pasha Atë që na ka krijuar! Prandaj, gjyko si të duash, por ti mund të gjykosh vetëm në jetën e kësaj bote![8]
  9. Vërtet, ne besuam në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjinë që na ke detyruar të praktikojmë. Dhe Allahu është më i Mirë në shpërblim dhe më i qëndrueshëm në dënim![9]
  10. Vërtet, kushdo që i vjen Zotit të vet si keqbërës (mohues), ai do të ketë Xhehenemin, ku as nuk do të vdesë as nuk do të jetojë.[10]
  11. Ndërsa kush i vjen Atij besimtar, duke qenë se ka bërë vepra të mira, ata do të kenë shkallët e larta:[11]
  12. Kopshtet e Përjetësisë (Adnit), nëpër të cilët rrjedhin lumenj; ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është shpërblimi i atyre që pastrohen.”[12]

[1] Kur u bënë gati për sfidën, magjistarët i thanë Musait: “Ose hidhe ti i pari shkopin tënd, ose të fillojmë ne të parët dhe të hedhin çfarë kemi për të hedhur!”

[2] Musai i tha magjistarëve: “Hidhni ju të parët!” Atëherë ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre, dhe befas Musait dhe të gjithë njerëzve të pranishëm – për shkak të magjisë që i kishin bërë magjistarët – iu duk se ato ishin vërtet gjarpërinj që zvarriteshin nëpër tokë.

[3] Atëherë Musai ndjeu një frikë në vetvete, se mos njerëzve do iu pështjellohej çështja dhe do të ngatërronin mes magjisë së magjistarëve dhe mrekullisë së tij që ishte nga Allahu.

[4] Në atë çast Allahu i tha Musait: “Mos u frikëso, se me të vërtetë, ti je më i lartë se Faraoni dhe se magjistarët e tij, dhe ti do të triumfosh mbi ta!”

[5] Dhe Allahu i tha Musait: “Hidhe shkopin që mban në dorën e djathtë që ai t’i përpijë litarët dhe shkopinjtë e tyre, sepse ajo që bënë para teje ishte vetëm dredhi e magjistarit dhe iluzion i shkaktuar nga magjia; e, magjistari nuk mund të ketë sukses dhe nuk mund të triumfojë kurrë, kudo që të shkojë!”

[6] Kur Musai hodhi shkopin dhe ai u bë gjarpër i madh që i përpiu të gjitha ato që bënë magjistarët, triumfoi e vërteta dhe u bë e qartë për të gjithë të pranishmit dhe për vetë magjistarët, kështu që magjistarët ranë menjëherë me kokën në tokë duke i bërë sexhde Allahut, dhe thanë: “Besuam në Zotin e Harunit dhe të Musait! Sikur kjo të ishte magji, nuk do të mundeshim kurrë.”

[7] Faraoni u tha magjistarëve: “A i besuat Musait dhe e pasuat atë para se unë tju jap leje?! Atëherë, Musai është mjeshtri juaj, i cili ju ka mësuar magjinë, prandaj e pasuat atë. Unë do tjua pres duart dhe këmbët në mënyrë të tërthortë (dorën e djathtë dhe këmbën e majtë, apo dorën e majtë dhe këmbën e djathtë) dhe do tju kryqëzoj e do tju var në trungjet e palmave, atëherë do ta shihni, o magjistarë, se cili prej nesh, unë apo Zoti i Musait, do të ketë dënim më të ashpër dhe më të përhershëm.”

[8] Magjistarët i thanë Faraonit: “Pasha Atë që na ka krijuar! Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi, kurrë nuk do të të bindemi ty dhe kurrë nuk do të pasojmë fenë tënde mbi atë me të cilën na erdhi Musai prej provave bindëse që argumentojnë vërtetësinë e tij, pasimin e tij dhe bindjen ndaj Zotit të tij! Po ashtu, kurrë nuk do t’i japim përparësi hyjnizimit tënd të supozuar ndaj hyjnizimit të Allahut, i Cili na ka krijuar. Prandaj, vepro me ne si të duash, por pushteti yt mbi ne do të jetë vetëm në jetën e kësaj bote të shkurtër dhe kalimtare, dhe dënimi që do të na japësh do të mbarojë shpejt.

[9] Magjistarët vazhdojnë t’i thonë Faraonit: “Ne i besuam Zotit tonë dhe të dërguarit të Tij, që Ai të na i falë mëkatet dhe idhujtarinë tonë, si dhe magjinë që na ke detyruar të praktikojmë kundër Musait. Dhe Allahu është më i Mirë se ti në shpërblimin e atyre që i binden Atij, dhe dënimi i Tij ndaj atyre që e kundërshtojnë Atë është më i përhershëm se dënimi yt, o Faraon!”

[10] Vazhdon fjala e magjistarëve në përgjigje të Faraonit: “Kushdo që i vjen Zotit të tij në ditën e Kiametit si keqbërës e mohues i Tij, si ti, o Faraon, ai do të ketë zjarrin e Xhehenemit si ndëshkim, ku as nuk do të vdesë e të shpëtojë as nuk do të jetojë jetë që mund ta shijojë.”

[11] Ndërsa kush i vjen Zotit të tij duke qenë se e ka besuar Atë dhe ka vepruar vepra të mira ashtu si ka urdhëruar Ai, do të ketë shkallët më të larta të shpërblimit të Zotit të tij: Kopshtet e Përjetësisë (Adenit)…

[12] Shkallët më të larta të shpërblimit të Allahut janë: Kopshtet e Përjetësisë (apo të Adenit), nëpër të cilët rrjedhin lumenj të pashtershëm; ku ata do të qëndrojnë përgjithmonë. Kjo mirësi e përjetëshme është shpërblim nga Allahu për ata që e pastrojnë vetveten nga ndotësitë e mëkateve, mosbesimit dhe idhujtarisë, dhe adhurojnë vetëm Allahun, i binden Atij dhe largohen nga ndalesat e Tij.

-316-


  1. Dhe Ne i shpallëm Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe hapu atyre një rrugë të thatë nëpër det. Mos ki frikë se do t’ju kapin, as se do të mbyteni!”[1]
  2. Faraoni i ndoqi ata me ushtrinë e tij, por sa të mëdha ishin ujërat e detit që i mbuluan ata![2]
  3. Faraoni e çoi në humbje popullin e vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë.[3]
  4. O bijtë e Izraelit! Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, ju caktuam takim në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm rrëshirën dhe thëllëzat.[4]
  5. Pra, hani nga të mirat që ju kemi furnizuar por mos e teproni në to, përndryshe do t’ju godasë zemërimi Im; dhe ai që goditet nga zemërimi Im, është i gremisur![5]
  6. Vërtet, Unë jam Falës i Madh për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, pastaj qëndron në rrugën e drejtë.[6]
  7. “Po përse nxitove të vish para popullit tënd, o Musa?”[7]
  8. Ai (Musai) tha: “Ata janë afër, pas gjurmëve të mia, kurse unë nxitova te Ti, o Zoti im, që të kënaqesh (nga unë).”[8]
  9. Ai (Allahu) tha: “Ne e sprovuam popullin tënd pas largimit tënd, dhe Samiriu i çoi ata në humbje.”[9]
  10. Atëherë Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Ai tha: “O populli im! A nuk ju premtoi Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo deshët që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj, kështu që e thyet premtimin që më dhatë?!”[10]
  11. Ata thanë: “Ne nuk e thyem premtimin që të dhamë me vullnetin tonë, por ishim të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), kështu që i hodhëm ato (në zjarr); po kështu hodhi edhe Samiriu.[11]

[1] Allahu i shalli Musait: “Dil nga Egjipti dhe largohu gjatë natës bashkë me robërit e Mi prej bijve të Izraelit, dhe hapu atyre një rrugë të thatë nëpër det. Mos ki frikë se do tju kapë Faraoni dhe ushtria e tij, as mos u frikëso nga mbytja në det!”

[2] Musai u largua nga Egjipti gjatë natës bashkë me bijtë e Izraelit, dhe u hapi atyre një rrugë në det. Faraoni i ndoqi ata bashkë me ushtrinë e tij, por atë dhe ushtrinë e tij e mbuluan ujërat e detit që vetëm Allahu e di sa ishin, kështu që u mbytën që të gjithë, kurse Musai dhe popullii tij shpëtuan.

[3] Faraoni e çoi në humbje popullin e vet, duke u bërë të dashur atyre mosbesimin dhe përgënjeshtrimin e Musait dhe mrekullive që Allahu i dha atij, dhe nuk e çoi popullin e vet në rrugën e drejtë, siç pretendonte (në ajetin 29 të sures Gafir).

[4] O bijtë e Izraelit, kujtoni që Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, Faraoni; ju caktuam takim në anën e djathtë të malit Tur për t’ju zbritur Teuratin, dhe kur ishit në shkretëtirë, ju zbritën për të ngrënë ushqim nga qielli, një rrëshirë që i ngjan mjaltit dhe zogj që i ngjajnë thëllëzave.

[5] Hani nga ushqimet e mira dhe të lejuara që Ne ju kemi furnizuar, por mos e teproni në to duke i bërë padrejtësi njëri-tjetrit, përndryshe mbi ju do të zbresë zemërimi dhe dënimi Im; dhe ai që goditet nga zemërimi Im, është i gremisur, i shkatërruar, i humbur dhe i mjeruar, në këtë botë dhe në botën tjetër ku do të bjerë në zjarrin e Xhehenemit!

[6] Vërtet, Allahu është Falës i Madh për këdo që pendohet nga mohimi, idhujtaria dhe mëkati i tij; beson Allahun dhe gjithçka ka ardhur prej Tij, si dhe vepron vepra të mira ashtu si ka urdhëruar Allahu, pastaj vazhdon me qëndrueshmëri në rrugën dhe udhëzimin e drejtë deri sa t’i vijë vdekja.

[7] Allahu i tha Musait, kur ky shkoi para popullit të tij në takimin që i kishte caktuar Allahu, në anën e djathtë të malit Tur, për t’i zbritur Teuratin: “Çfarë të shtyu që të vish në takim para popullit tënd, o Musa?”

[8] Musai iu përgjigj Allahut: “Ata janë afër dhe po vijnë pas gjurmëve të mia, kurse unë nxitova për të ardhur tek Ti para atyre, që Ti të kënaqesh edhe më shumë nga unë.”

[9] Allahu i tha Musait: “Ne e vumë në provë popullin tënd pasi t’i u ndave prej tyre, dhe Samiriu (një burrë nga fisi Samirah prej bijve të Izraelit) i çoi ata në humbje duke i ftuar që të adhurojnë viçin.”

[10] Musa u kthye me nxitim te populli i vet, i zemëruar me ta dhe shumë i mërzitur e i pikëlluar, dhe u tha atyre: “O populli im! A nuk ju premtoi Zoti juaj një premtim të mirë për zbritjen e Teuratit tek ju? A mos ju duk e gjatë koha e përmbushjes së premtimit apo e largimit tim, apo deshët që të bëni një vepër për shkak të së cilës do t’ju godasë zemërimi dhe dënimi i Zotit tuaj, kështu që e shkelët premtimin që më dhatë për të ardhur pas meje në takimin me Allahun për zbritjen e Teuratit, dhe në vend të kësaj adhuruat viçin dhe i shkelët urdhrat dhe porositë e mia që ua lashë me Harunin.

[11] Populli i Musait iu përgjigj atij: “Ne nuk e thyem premtimin që të dhamë me zgjedhjen tonë, por ishim detyruar të mbartnim barrë të rënda nga stolitë prej ari të popullit të Faraonit (që Musa u kishte thënë t’i merrnin hua nga njerëzit e Faraonit se gjoja i donin për një dasëm, natën që dolën nga Egjipti, për të mos u zbuluar që po largoheshin; dhe Musai u tha atyre se këto gjithësesi janë plaçkë lufte që Allahu do jua japë juve), kështu që për t’u lehtësuar i hodhëm në gropën ku ishte ndezuar zjarr, me urdhër të Samiriut, i cili edhe vetë ai hodhi në zjarr atë që kishte prej dheut të thundrës së kalit të Xhibrilit.”

-317-


  1. Dhe nga këto, ai (Samiriu) u nxorri atyre një trup viçi që pëlliste, e ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, por ai (Musai) e harroi atë!”[1]
  2. Po, a nuk e shihnin ata, se ai (viçi) nuk u përgjigjej atyre dhe nuk mundej t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie?![2]
  3. Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre që më parë: “O populli im! Ju po sprovoheni me këtë, sepse me të vërtetë, Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, prandaj më ndiqni mua dhe zbatoni urdhrin tim!”[3]
  4. Ata thanë: “Nuk do të pushojmë së adhuruari atë (viçin), derisa Musai të kthehet tek ne.”[4]
  5. Ai (Musai) tha: “O Harun! çfarë të pengoi ty, kur i pe ata të devijonin,
  6. që të më ndiqje mua?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?”[5]
  7. Ai (Haruni) tha: “O biri i nënës sime! Mos më kap për mjekre e as për koke (flokësh)! Unë kisha frikë se do të thoje: “Ke futur përçarje mes bijve të Izraelit dhe nuk e ke ruajtur porosinë time.”[6]
  8. Pastaj ai (Musai) tha: “Si është çështja jote, o Samiri?”[7]
  9. Ai (Samiriu) u përgjigj: “Unë pashë diçka që të tjerët nuk e panë. Mora një grusht (dhe) nga gjurmët e të Dërguarit (Xhibrilit) dhe e hodha (mbi stolitë), dhe kështu më tundoi vetja ime.”[8]
  10. Ai (Musai) i tha: “Atëherë, ik! Tërë jetën ke për të thënë: ‘Pa prekje!’ Dhe të është caktuar një afat, të cilit nuk do t’i shpëtosh. Tani shikoje zotin tënd që ti ke adhuruar gjithë kohës; Ne do ta djegim atë, pastaj hirin e tij do ta shpërndajmë në det.”[9]
  11. Me të vërtetë, Zoti juaj është vetëm Allahu, përveç të Cilit s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet; Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.”[10]

[1] Nga ari i popullit të Faraonit dhe nga dheu i gjurmës së thudrës së kalit të Xhibrilit që hodhën në gropën me zjarr, Samiriu u prodhoi bijve të Izraelit një trup në formë të viçit, i cili lëshonte një pëllitje, si të lopës, dhe ata që e adhuruan atë i thanë të tjerëve që nuk e adhuruan: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, por Musai e harroi atë këtu dhe shkoi ta kërkojë në mal, sepse nuk e dinte ku ishte!”

[2] A nuk e shihnin ata që adhuruan viçin, se ai nuk u fliste dhe nuk u përgjigjej fjalëve të tyre, dhe as nuk kishte mundësi t’u sillte ndonjë lloj dëmi apo dobie?!

[3] Haruni u pati thënë bijve të Izraelit, që para se të kthehej Musa tek ata: “O populli im! Ju jeni vënë në provë me këtë viç, që të dallohet kush nga ju është besimtar dhe kush nga ju është mohues i Allahut, sepse Zoti juaj i Vërtetë dhe i Vetëm është i Gjithëmëshirshmi, prandaj me ndiqni mua në atë që ju ftoj prej adhurimit të Allahut dhe jo të viçit, dhe zbatoni urdhrin tim në ndjekjen e ligjit të Allahut!”

[4] Ata që adhuruan viçin prej bijve të Izraelit, iu përgjigjën Harunit: “Ne do të vazhdojmë ta adhurojmë viçin, deri sa Musai të kthehet tek ne.”

[5] Pastaj Musai i tha vëllait të tij, Harunit: “Çfarë të pengoi ty, kur i pe ata të devijojnë nga feja e tyre, që të më ndiqje mua duke ardhur pas meje dhe t’i lije ata?! A mos e kundërshtove urdhrin tim për të më zëvendësuar dhe për të rregulluar e për të mos ndjekur rrugën e të prishurve?”

[6] Pastaj, nga zemërimi, Musai e kapi Harunin për mjekrre dhe për flokësh, duke e tërhequr nga vetja, dhe Haruni i tha atij: “O biri i nënës sime! Mos më pak për mjekrre as për flokësh! Unë kisha frikë se nëse i lija ata që adhuruan viçin dhe vija pas teje me pjesën tjetër që nuk e adhuruan viçin, ti do të më thoje: “Ke përçarë bijtë e Izraelit dhe nuk e ke ruajtur porosinë time për kujdesjen për ta.”

[7] Pastaj Musai i tha Samiriut: “Si është çështja jote, o Samiri, dhe çfarë të shtyu ta bësh atë që bëre?”

[8] Samiriu iu përgjigj Musait: “Unë pashë diçka që të tjerët nuk e panë – pa Xhibrinin mbi kal, në kohën kur bijtë e Izraelit dolën nga deti kurse Faraoni dhe ushtria e tij u mbytën; dhe pa se kudo që shkelte kali i Xhibrilit, mbinte menjëherë bar – kështu që mora një grusht ‘dhe’ nga gjurma e thundrës së kalit të engjëllit të dërguar nga Allahu, Xhibrilit, pastaj e hodha atë mbi stolitë prej ari të shkrirë në formën e viçit, pastaj ai u bë viç i gjallë që pëlliste, për të qenë sprovë për njerëzit, dhe kështu më nxiti vetvetja ime të bëja – meqenëse pashë se ajo që adhuronin ata njerëzit që kaluam pranë tyre pasi shpëtuam nga Faraoni dhe dolëm nga deti, ishte në formë të lopës, kështu që mendova se kjo duhet të jetë forma e zotit që kërkuan bijtë e Izraelit të adhurojnë.”

[9] Musai i tha Samiriut: “Ik nga ne! Pjesën e mbetur të jetës tënde ke për të jetuar i poshtëruar dhe i përzënë nga të gjithë njerëzit duke u thënë: “As mos më prek as nuk të prek!” – për shkak të sëmundjes ngjitëse që do të bjerë mbi ty. Dhe ti ke një afat të caktuar për dënimin dhe ndëshkimin tënd, të cilit nuk do t’i shpëtosh dhe nuk do të ndryshojë. Tani shiko zotin tënd që ke adhuruar gjithë kohës, që para se t’a bëje prej arit; ne do ta djegim atë në zjarr pasi ta therim, pastaj hirin e tij do ta shpërndajmë plotësisht në det, që ta mësosh mirë, ti dhe ata që e adhuruan atë, se ai nuk është zot.”

[10] Me të vërtetë, Zoti juaj i Vetëm, o njerëz, është Allahu, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet; Ai ka përfshirë gjithçka në diturinë e Tij, pa u munduar prej kësaj, dhe asgjë nuk mund t’i fshihet dijes së Tij.

-318-


  1. Kështu t’i tregojmë Ne ty (o Muhamed) disa nga historitë e së kaluarës. Dhe Ne të kemi dhënë ty një përkujtim (Kuranin) nga ana Jonë.[1]
  2. Kushdo që ia kthen shpinën atij, do të mbartë në Ditën e Kiametit barrë të rëndë,[2]
  3. që do ta vuajnë përgjithmonë. Sa barrë të keqe që do të mbartin ata në Ditën e Kiametit![3]
  4. Ditën, kur do të fryhet në Sur; atë Ditë do t’i tubojmë të këqijtë me sytë blu.[4]
  5. Ata do të pëshpëritin me njëri-tjetrin: “Ju nuk qëndruat veçse dhjetë ditë (në dynja).”[5]
  6. Ne e dimë më mirë se çfarë do të thonë ata – kur më i gjykueshmi prej tyre do të thotë: “Nuk keni qëndruar veçse një ditë.”[6]
  7. Të pyesin ty (o Muhamed) për malet, thuaj: “Zoti im do t’i shkulë dhe do t’i bëjë ato pluhur,[7]
  8. duke e lënë atë (Tokën) të rrafshët, të lëmuar,
  9. ku nuk do të shohësh as gropa, as të ngritura.”[8]
  10. Atë ditë, të gjithë do të shkojnë pas thirrësit, pa i devijuar atij dhe të gjithë zërat do të ulen para të Gjithëmëshirshmit, sa që nuk do të dëgjosh asgjë tjetër përveç pëshpëritjes.[9]
  11. Atë ditë nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç atij që i jep leje i Gjithëmëshirshmi (të ndërmjetësojë) dhe vetëm për atë që Ai ia ka pëlqyer fjalën.[10]
  12. Ai e di plotësisht atë që është para (bota tjetër) dhe atë që është pas tyre (kjo botë), kurse ata (krijesat) nuk mund ta përfshjnë Atë në dijen e tyre.[11]
  13. Të gjitha fytyrat do t’i përulen të Gjallit të Përjetshëm, Mbajtësit të çdo gjëje dhe, sigurisht, do të humbë ai që është ngarkuar me padrejtësi.[12]
  14. Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të ketë frikë se do t’i bëhet padrejtësi, apo se do t’i pakësohet shpërblimi.[13]
  15. Dhe kështu, Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe dhe kemi sjellë në të paralajmërime të llojllojshme, në mënyrë që ata të ruhen apo t’i bëjë që të kujtojnë.[14]

[1] Kështu si të treguam historinë e Musait, Faraonit dhe popujve të tyre, po kështu Ne të tregojmë ty, o Muhamed, disa nga historitë e popujve të mëparshëm; dhe Ne të kemi dhënë ty nga ana Jonë këtë Kuran, i cili është përkujtim dhe këshillë për ata që përkujtojnë dhe marrin mësim.

[2] Kushdo që ia kthen shpinën këtij Kurani, duke mos e besuar dhe duke mos e zbatuar atë, ai do të kthehet te Zoti i tij në ditën e Kiametit duke mbartur barrën e rëndë të mëkateve të tij;

[3] Barrë, të cilën do ta vuajnë përgjthmonë në zjarrin e Xhehenemit. Sa barrë të keqe dhe të rëndë që do të mbartin ata që i kthejnë shpinën Kuranit në Ditën e Kiametit!

[4] Barra e tyre do të jetë e keqe dhe e rëndë ditën kur engjëlli të fryjë në Sur (bri) për herë të dytë, për ringjalljen e krijesave dhe dhënien e llogarisë; atë Ditë, Ne do i tubojmë mohuesit me sytë që i janë bërë ngjyrë blu (ose që u janë verbuar) për shkak të tmerrit dhe ngjarjeve të asaj dite.

[5] Ata do i përshpëritin njëri-tjetrit duke thënë: “Nuk keni qëndruar në jetën e dynjasë, në Tokë, veçse dhjetë ditë!” D.m.th. që u kënaqën vetëm pak ditë në dynja, dhe tani do të vuajnë dënim të përhershëm.

[6] Ne e dimë më mirë se çfarë do të thonë e çfarë do të përshpëritin mohuesit me njëri-tjetrin në Ditën e Kiametit – kur më i logjikshmi prej tyre do të thotë: “Nuk keni qëndruar në Tokë veçse një ditë!” Për shkak të kohës shumë të shkurtër të jetës në dynja në krahasim me jetën e përhershme në botën tjetër dhe gjendjen në të cilën do të jenë atje.

[7] Populli yt të pyet ty, o Muhamed, se çfarë do të bëhet me malet në Ditën e Kiametit, kurse ti thuaju atyre: “Zoti im do t’i shkulë ato nga vendet dhe do t’i bëjë dhe e pluhur që e shpërndan era, …

[8] Vendin ku ishin ngulur malet do e lërë të rrafshët me Tokën, të lëmuar dhe të zhveshur nga bimët, ku nuk do të shihet asnjë gropë apo e ngritur, nga që është krejtësisht e sheshtë dhe e lëmuar.”

[9] Atë Ditë, kur të njerëzit të ringjallen nga varret e tyre, që të gjithë ata do të ndjekin zërin e thirrësit (engjëllit Israfil) që i thërret për t’u tubuar para Allahut, pa pasur mundësi askush t’i devijojë atij apo thirrjes së tij, por që të gjitha krijesat do të shkojnë drejt tij, dhe atëherë që të gjithë zërat do të ulen dhe do të heshtin në madhërim të të Gjithëmëshirshmit, sa që nuk do të dëgjohet veçse ndonjë pëshpëritje apo zhurma e këmbëve që ecin drejt Tokës së Mahsherit.

[10] Në Ditën e Llogarisë askujt nuk do i bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij që i jep lejë i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë, dhe vetëm për atë person të cilit Ai ia ka pëlqyer fjalën dhe veprën në dynja – ka thënë shehadetin dhe ka qenë besimtar i sinqertë.

[11] Allahu e di plotësisht çfarë ka para njerëzve prej çështjeve të Ditës së Kiametit dhe botës tjetër, dhe çfarë lënë ata pas prej çështjeve të kësaj bote, kurse njerëzit dhe të gjitha krijesat nuk mund ta përfshijnë Allahun në dituritë e tyre dhe nuk dinë për të veçse atë që u ka treguar Vetë Ai.

[12] Në ditën e Kiametit, të gjitha fytyrat e krijesave do të përulen të nënshtruara para Krijuesit të tyre, të Gjallit me jetën më të plotë dhe të përjetshme, ashtu si i përshtatet Madhështisë së Tij, Mbajtësit të çdo gjëje, i Cili nuk ia ka nevojën askujt; dhe sigurisht që atë Ditë do të humbë ai që ka ngarkuar vetveten me padrejtësinë e idhujtarisë, mohimit të Allahut, dhe veprave të këqia.

[13] Ai që bën vepra të mira ashtu si ka urdhëruar Allahu, ndërkohë që beson Zotin e tij, nuk do të ketë frikë se do t’i bëhet ndonjë padrejtësi në ditën e Llogarisë duke iu shtuar veprat e këqia, apo se do t’i pakësohen veprat e mira që ka bërë dhe kështu do t’i pakësohet shpërblimi, sepse tek Allahu nuk i bëhet padrejtësi askujt.

[14] Ashtu si zbritën ato që u përmendën më parë në këtë sure, po kështu e zbritëm edhe këtë Kuran në gjuhën arabe, që të kuptohet mirë, dhe kemi sjellë në të nga të gjitha llojet e paralajmërimeve, në mënyrë që njerëzit të ruhen dhe të kenë frikë paralajmërimet e Allahut, apo që ky Kuran t’i bëjë ata që të kujtojnë popujt e mëparshëm dhe përfundimet e tyre të këqia për shkak të mohimit të Allahut dhe idhujtarisë, dhe kështu të marrin mësim dhe të kthehen tek Allahu dhe bindja ndaj Tij.

-319-


  1. I Lartësuar është Allahu, Sunduesi, i Vërteti! Mos nxito (o Muhamed) për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij (nga Xhibrili) dhe thuaj: “Zoti im, më shto dije!”[1]
  2. Ne morëm besën nga Ademi më parë, por ai harroi, dhe Ne nuk gjetëm tek ai vendosmëri.[2]
  3. Kur Ne u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën në sexhde, përveç Iblisit, i cili refuzoi.[3]
  4. Atëherë i thamë: “O Adem! Me të vërtetë, ky (Iblisi) është armik për ty dhe për gruan tënde, prandaj mos lejoni që t’ju nxjerrë të dyve nga Xheneti, se atëherë do të vuash![4]
  5. Këtu e ke të garantuar se nuk do të mbetesh kurrë as i uritur, as i zhveshur,
  6. dhe se nuk do të kesh kurrë as etje, as vapë.”[5]
  7. Por djalli e cyti atë dhe i tha: “O Adem! A të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”[6]
  8. Dhe ata të dy (Ademi dhe Havaja) hëngrën nga ajo (pemë), dhe atëherë iu zbuluan vendet e turpshme të trupit të tyre dhe filluan menjëherë të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi e theu urdhrin e Zotit të vet, kështu që humbi rrugë.[7]
  9. Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi.[8]
  10. Ai (Allahu) tha: “Zbritni prej tij (Xhenetit) të dy ju, që të gjithë (bashkë me Iblisin)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse do t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, atëherë kushdo që do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë (në këtë botë), as nuk do të mjerohet (në botën tjetër).[9]
  11. Kurse ai që do i kthejë shpinën përkujtimit Tim, me të vërtetë që do të ketë jetë të mjerë dhe në Ditën e Kiametit, Ne do ta ringjallim të verbër.[10]
  12. Ai do të thotë: “Zoti im! Përse më ringjalle të verbër, kur unë shihja më parë?”[11]

[1] I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu, Sunduesi dhe Zotëruesi i gjithçkaje që ekziston, i Vërteti; i Vërteti që meriton të adhurohet, premtimi i të Cilit është i vërtetë, paralajmërimi i Tij është i vërtetë dhe gjithçka që ka ardhur prej Tij është e vërtetë. Mos u nxito në leximin e asaj që të shpallet nga Kurani ndërkohë që Xhibrili është duke ta shpallur atë, o Muhamed, deri sa ai ta përfundojë atë që është urdhëruar të të shpallë në zbritjen e rradhës (mos ki frikë se do e harrosh) dhe thuaj: “Zoti im! Më shto edhe më shumë dije mbi dijen që më ke mësuar!”

[2] Ne i morëm besën Ademit dhe e porositëm atë që të mos hante nga pema, dhe e paralajmëruam gjithashtu se Iblisi është armiku i tij dhe i bashkëshortes së tij, por ai e harroi besën dhe porosinë Tonë, dhe Ne nuk gjetëm tek ai forcë vendosmërie me anë të cilës do ta ruante atë që u urdhërua.

[3] Kujto, o Muhamed, kur Ne u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit në shenjë përshëndetje dhe nderimi”, të gjithë engjëjt u përulën në sexhde para Ademit, me përjashtim të Iblisit – babait të xhinëve, i cili në atë kohë shoqërohej me engjëjt dhe adhuronte Allahun bashkë me ta – i cili refuzoi të binte në sexhde para Ademit duke kundërshtuar kështu urdhrin e Allahut.

[4] Atëherë i thamë Ademit: “Me të vërtetë, ky, Iblisi, është armiku yt dhe i gruas tënde, prandaj edhe nuk u përul para teje në sexhde dhe theu urdhrin Tim, kështu që mos ju bindni atij në ato që ju urdhëron sepse bindja ndaj tij do t’ju nxjerrë nga Xheneti për shkak të thyerjes së urdhrit të Zotit tuaj dhe bindjes ndaj djallit të mallkuar; dhe atëherë do të vuash gjatë gjithë jetës tënde në Tokë, për të siguruar mjetet e jetesës për veten dhe familjen tënde, ndërkohë që këtu në Xhenet e ke gjithçka të siguruar!…

[5] Këtu, në Xhenet, ti Adem, e ke të garantuar se do të kesh gjithnjë për të ngrënë dhe kurrë nuk do të uritesh, dhe do të kesh gjithnjë për të veshur, dhe kurrë nuk do të mbetesh i zhveshur; e ke të garantuar se këtu në Xhenet kurrë nuk do të etesh as etje, as vapë, sepse nuk do i shfaqesh Diellit përvëlues – sepse në Xhenet nuk ka Diell apo Hënë, por vetëm dritë.”

[6] Shejtani e ngacmoi Ademin dhe i tha atij: “A të të tregoj një pemë, që nëse ha nga frutat e saj, do të bëhesh i përjetshëm dhe nuk do të vdesësh kurrë, si dhe do të kesh një mbretërim që nuk mbaron dhe nuk zhduket kurrë?”

[7] Ademi dhe Havaja e dëgjuan shejtanin dhe hëngrën nga pema që Allahu ua kishte ndaluar, dhe atëherë atyre iu zbuluan vendet e turpshme të njëri-tjetrit, ndërkohë që i kishin të mbuluara, dhe menjëherë filluan të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi e theu urdhrin e Zotit të Tij, kështu që humbi rrugë, por menjëherë u pendua së bashku me Havanë dhe thanë: “Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë, e nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit!” [El Araf, 23].

[8] Pastaj Allahu e zgjodhi dhe e afroi Ademin, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi atë në pjekurinë dhe vendosmërinë e tij në bindjen e plotë ndaj Allahut.

[9] Allahu i tha Ademit dhe Havasë: “Zbritni prej Xhenetit në Tokë të dy ju, bashkë me Iblisin! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit (Ademi me Havanë dhe pasardhësit e tyre do të jenë armiq të Iblisit dhe pasardhësve të tij). Kur t’ju vijë udhëzim dhe sqarim nga ana Ime (i Dërguar dhe Libër), atëherë ata që do e ndjekin udhëzimin Tim do të jenë të udhëzuar drejtë dhe as nuk do të humbin në dynja, as nuk do të mjerohen në botën tjetër me dënimin Tim, sepse Unë do i fus ata në Xhenet dhe do i shpëtoj nga Zjarri.

[10] Kurse ai që do i kthejë shpinën përkujtimit që Unë do i bëj me anë të Dërguarve dhe shpalljeve të Mia, me të vërtetë që ai do të ketë një jetë të mjerë, të ngushtë dhe të vështirë në këtë botë  – edhe nëse në sy të njerëzve mund të duket i kamur – dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.

[11] Ai që i kthen shpinën përkujtimit të Allahut do të thotë: “Zoti im! Përse më ringjalle të verbër, kur unë shihja më parë në dynja?”

-320-


  1. Allahu do t’i thotë: “Kështu të erdhën provat Tona dhe ti i harrove ato, po kështu sot do të jesh i harruar.”[1]
  2. Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk i beson provat e Zotit të tij; dhe dënimi i botës tjetër është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm.[2]
  3. A nuk e kanë ende të qartë se sa e sa popuj kemi shkatërruar para atyre, në rrënojat e të cilëve ata ecin sot? Me të vërtetë, në këtë ka prova për njerëzit e gjykueshëm.[3]
  4. Sikur të mos ishte një fjalë e mëparshme nga Zoti yt (o Muhamed) dhe një afat i caktuar tashmë, dënimi i tyre i menjëhershëm do të ishte i pashmangshëm.[4]
  5. Prandaj duroi ato që thonë ata (o Muhamed) dhe madhëroje me lavdërim Zotin tënd para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij! Edhe në orët e natës madhëroje Atë, si dhe në skajet e ditës, në mënyrë që të kënaqesh (me shpërblimin).[5]
  6. Mos i hidh sytë nga kënaqësitë që Ne u kemi dhënë disa kategorive prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, me të cilat Ne i sprovojmë ata! Furnizimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i qëndrueshëm.[6]
  7. Urdhëroje familjen tënde të falë namazin dhe vetë tregohu i zellshëm në të (kryerjen e namazit)! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë furnizim; jemi Ne që të furnizojmë ty! Përfundimi i mirë i përket vetëm frikës ndaj Allahut.[7]
  8. Ata (idhujtarët) thonë: “Përse nuk na sjellë (Muhamedi) ndonjë provë nga Zoti i tij”? Po, a nuk u ka ardhur tashmë atyre sqarimi i asaj që gjendet në Shkrimet e mëparshme?[8]
  9. Sikur Ne t’i kishim shkatërruar ata me dënim para dërgimit të tij (të Dërguarit), ata me siguri do të thonin: “Zoti ynë! Sikur të na kishe dërguar një të Dërguar, ne do t’i kishim ndjekur provat e Tua, para se të poshtëroheshim dhe turpëroheshim!”[9]
  10. Thuaju (o Muhamed): “Të gjithë jemi duke pritur, prandaj prisni! Së shpejti do ta mësoni se kush janë ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush është i udhëzuar drejt.”[10]

[1] Allahu do t’i thotë: “Të ringjalla të verbër, sepse kur të erdhën provat e Mia të qarta, ti i ktheve shpinën dhe nuk i besove ato, prandaj ashtu si i le ato në harresë në dynja, po ashtu do të lihesh sot në harresë në zjarrin e Xhehenemit.”

[2] Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron në gjynahe dhe shkelje të urdhrave të Zotit të tij, dhe nuk beson në provat e Tij, me ndëshkime të ndryshme në këtë botë; por ndëshkimi që është përgatitur për të në botën tjetër është edhe më i ashpër e i dhimbshëm, dhe është i përhershëm e nuk mbaron kurrë.

[3] Ende nuk i është bërë e qartë popullit tënd, o Muhamed, se sa e sa popuj mohues kemi shkatërruar para tyre, madje ata ecin sot në rrënojat e banesave të tyre dhe i shohin gjurmët e shkatërrimit të tyre; ende nuk marrin mësim e të udhëzohen në rrugën e drejtë? Vërtet, në numrin e madh të popujve që kemi shkatërruar më parë dhe në rrënojat e gjurmët e tyre ka prova të qarta dhe mësim për njerëzit e gjykueshëm dhe mendje të shëndoshë.

[4] Sikur të mos ishte një fjalë e mëparshme e Zotit tënd, o Muhamed, dhe një afat i caktuar tashmë për dënimin e mohuesve, dënimi i tyre i menjëhershëm do të ishte i pashmangshëm, sepse ata e meritojnë atë për shkak të mohimit të tyre.

[5] Duroi epitetet që të veshin dhe fjalët e pavërteta që të thonë mohuesit e provave të Allahut prej popullit tënd, o Muhamed, dhe madhëroje me lavdërim Zotin tënd në namazin e sabahut para lindjes së Diellit, në namazin e mbasdites para perëndimit, në namazin e darkës në orët e natës, dhe në namazet e drekës dhe të akshamit që janë në skajet e ditës, në mënyrë që shpërblehesh nga Allahu me atë që të kënaq!

[6] Mos i shiko me syrin e dëshirës kënaqësitë që Ne u kemi dhënë disa prej kategorive të idhujtarëve nga populli yt apo të tjerë, që gjithësesi janë stoli të përkohshme të kësaj bote kalimtare, me të cilat Ne i sprovojmë ata; kurse furnizimi dhe shpërblimi i Zotit tënd në botën tjetër është më i mirë për ty dhe më i qëndrueshëm, sepse është i përhershëm dhe nuk mbaron kurrë.

[7] Urdhëroje familjen tënde të falë namazin dhe vetë ti tregohu i zellshëm në kryerjen e namazit në mënyrën më të plotë! Ne nuk të kërkojmë ty furnizim apo pasuri, por jemi Ne që të furnizojmë e të japim ty. Përfundim i mirë, në këtë botë dhe në botën tjetër, është vetëm për njerëzit që i kanë frikën Allahut dhe i ruhen ndalesave të Tij, dhe jo ata që nuk kanë frikë dënimin as nuk shpresojnë shpërblimin e Tij.

[8] Përgënjeshtruesit e tu, o Muhamed, prej idhujtarëve të Mekes, thonë: “Përse nuk na sjell ndonjë provë nga Zoti yt, që të provojë vërtetësinë tënde? Po, a nuk ka ardhur atyre tashmë ky Kuran që është sqarues i së vërtetës që ka ardhur në Librat Qiellor të mëparshëm, ku përmenden historitë e popujve të mëparshëm që Ne i shkatërruam me dënimin Tonë kur ata kërkuan provë dhe mrekulli nga të dërguarit tanë, pastaj i mohuan ato prova, kështu që Ne ua shpejtuam dënimin në këtë botë. Mos duan edhe këta të njëjtën gjë?

[9] Sikur Ne t’i kishim dënuar këta mohues e idhujtarë para se të dërgonim tek ata të dërguar dhe t’u zbrisnim Libër, ata do të thonin: “Zoti ynë! Sikur të na kishe dërguar të dërguar, ne do ta kishim besuar atë dhe do të kishim ndjekur provat dhe shpalljet e Tua, para se të poshtëroheshim e turpëroheshim me dënimin Tënd?”

[10] Thuaju, o Muhamed, atyre idhujtarëve e mohuesve: “Të gjithë jemi duke pritur si do të rrotullohet koha dhe kujt do i takojë fitorja dhe shpëtimi, prandaj prisni! Së shpejti do ta mësoni se kush janë pasuesit e rrugës së drejtë dhe kush është udhëzuar drejt, ne apo ju?”

-321-