Mënyra e zbritjes së Kuranit

 


Nga libri: Njohuritë elementare në Shkencat e Kuranit

Autor: Abdullah ibën Jusuf el Xhudej

Përktheu: Dr. Bledar Albani


Si ka zbritur Kurani?

Është mëse e sigurtë nga feja Islame se Kurani nuk i ka zbritur përnjëherë Pejgamberit tonë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), siç ka qenë me librat e mëparshëm qiellorë si Teurati dhe Inxhili. Por Kurani është zbritur në bazë të ngjarjeve që ndodhnin që nga fillimi i shpalljes dhe deri në fund të jetës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në dynja. Këtë të vërtetë e themelon Fjala e Allahut të Madhëruar: “E ata që nuk besojnë thonë: “Pse nuk i është shpallur atij Kurani i tërë përnjëherë?” Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde dhe të është shpallur ty i rregulluar mirë dhe kohë pas kohe të përcaktuar.” [El Furkan, 32].

Si dhe Fjala e Allahut: “Ai është një Kur’an të cilin Ne e kemi ndarë (në pjesë), me qëllim që ti të mund t’ua lexosh njerëzve kohë pas kohe dhe Ne e kemi shpallur atë me faza e ndalesa (për 23 vjet sipas kohës e vendit të përcaktuar).” [El Isra, 106].

Por, çfarë kuptimi ka “zbritja” në Fjalën e Allahut: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani…” [El Bekare, 185]?

Si dhe Fjala e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në një natë të bekuar (nata e Kadrit).” [Ed Duhan, 3]?

Si dhe Fjala e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” [El Kader, 1]?

Këto ajete përputhen me njëri-tjetrin në njoftimin se Allahu i Madhëruar e ka zbritur Kuranin në një natë të begatë në muajin e Ramazanit, e cila është nata e Kadrit.

Dhe ky lajm, në pamje të parë mund të argumentojë për zbritjen e Kuranit të gjithë përnjëherë në atë natë.

Atëherë, si të bashkojmë mes këtij kuptimi të drejtpërdrejtë e të jashtëm, dhe mes të vërtetës së padiskutueshme për zbritjen e tij të ndarë në pjesë?

Disa prej dijetarëve të parë (prej selefëve) kanë thënë se kuptimi i kësaj është se fillimi i zbritjes së Kuranit ka qenë në natën e Kadrit, dhe jo zbritja e të gjithë Kuranit.

Këtë fjalë nuk ka çfarë ta kundërshtojë dhe kjo është një prej komentimeve të tre ajeteve të përmendura.

Por është vërtetuar nga imami i komentuesve të Kuranit, Abdullah ibën Abasi (radiallahu anhu), se Kurani ka pasur dy zbritje:

E para: Nga El Leuhu el Mahfudh në qiellin e kësaj dynjaje; dhe kjo ka qenë përnjëherë.

E dyta: Nga qielli i dynjasë në tokë, tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i ndarë në pjesë sipas ngjarjeve që ndodhnin.

Ibën Abasi (radiallahu anhu) thotë: “Allahu e zbriti Kuranin në qiellin e dynjasë, në natën e Kadrit dhe kur Allahu dëshironte të shpallte diçka prej tij, e shpallte atë. Kjo është për qëllim në Fjalën e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “I gjithë Kurani është zbritur njëherësh në natën e Kadrit, në Ramazan, në qiellin e dynjasë. Dhe kur Allahu donte të zbriste diçka të re në tokë, atëherë e zbriste nga ai, deri sa e plotësoi të gjithin (e zbriti të gjithin).”[1]

Këtë haber të Ibën Abasit e ka pranuar shumica e dijetarëve, dhe ai është përcjellë me disa fomra dhe shprehje nga Ibën Abasi (radiallahu anhu). Lajme të tilla janë njoftime për gjëra të fshehta të cilat nuk mund të njihen veçse me lajm qiellor, ndaj ky haber merr gjykimin e hadithit të ngritur tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), dhe që të bazohemi në këtë haber është më e privilegjuar se sa të bazohemi thjesht në teorira.

Disa prej dijetarëve mendojnë se urtësia në zbritjen e Kuranit njëherësh në qiellin e dynjasë, dhe ai është Libri i Allahut për tek banorët e tokës, urtësia e kësaj është: njoftimi i engjëjve të lartësive për shpalljen e re të zbritur banorëve të tokës, si dhe për të bërë të qartë vlerën e atij që i shpallet ky Ligj dhe vlerën e pasuesve të tij, veçanërisht me ndodhjen e kësaj në natën më madhështore, për të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe Urdhëresave (për vitin tjetër).” [Ed Duhan, 4].

Dhe ka thënë për të: “Ajo është më e mirë se një mijë muaj.” [El Kader, 3].

Pra, kjo gjë (zbritja e Kuranit njeherësh në qiellin e dynjasë) është lartësim për vetë Kuranin, për të Dërguarin të cilit ai i shpallet dhe për popullin i cili do të gjejë lumturinë në udhëzimin me të.

E ndoshta pas kësaj gjëje fshihen edhe urtësi të tjera të cilat i di Allahu i Madhëruar, dhe që mund të jenë më të mëdha dhe më madhështore se këto që u përmendën, e Allahu e di më mirë.

Urtësia në zbritjen e Kuranit të ndarë në pjesë

Kurani i ka zbritur Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ue selem) i ndarë në pjesë, gjatë 23 vjetëve; 13 vjet në Meke dhe 10 vjet në Medine, dhe zbritja ka qenë sipas nevojës. Kishte sure që zbriteshin njëherësh dhe kishte sure nga të cilat zbriteshin disa ajete, madje kishte raste që zbriste vetëm një pjesë ajeti, si në rastin e shkakut të zbritjes së Fjalës së Allahut: “përveç atyre që janë të pamundur”, në ajetin: “Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç atyre që janë të pamundur, me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre…” [En Nisa, 95].[2]

Në këtë lloj zbritje të Kuranit ka urtësi të mëdha, prej të cilave po përmendim:

  1. 1. Forcim të zemrës së pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “E ata që nuk besojnë thonë: “Pse nuk i është shpallur atij Kurani i tërë përnjëherë?” Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde dhe të është shpallur ty i rregulluar mirë dhe kohë pas kohe të përcaktuar.” [El Furkan, 32].

Me këtë urtësi dallohen suret dhe ajetet mekase, për shkak të nevojës që kishte Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) në atë kohë në qëndrueshmërinë përballë mosbesimtarëve dhe durimit të dëmeve të tyre. Kështu që Kurani i zbriste atij duke e kujtuar për shpërblimin, durimin, llogaritjen e kësaj për Hir të Allahut, si dhe me tregimin e historive të Pejgamberëve dhe popujve të mëparshëm, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe gjithçka që Ne të shpallim ty (O Muhammed) nga lajmet e të Dërguarve (para teje), (bëhet) me qëllim që Ne ta bëjmë të fortë e të paepur zemrën tënde me anë të tyre. Dhe në këtë të ka ardhur ty e vërteta si dhe këshillim, thirrje e përkujtim për besimtarët.” [Hud, 120].

  1. Rrëzim të kundërshtimeve të mosbesimtarëve.

Mosbesimtarët përpiqeshin gjithnjë të flisnin keq për Kuranin dhe të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), duke sjellë shembuj përngjasues për të. Këtë gjë ata e bënin vazhdimisht dhe Xhibrili (alejhi selam) zbriste me Kuran për të vërtetuar të vërtetën dhe për të rrëzuar të pavërtetën, për të kthyer mbrapsht kundërshtimet dhe për të hequr çdo lloj dyshimi me provat më të qarta dhe më të mira. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe asnjë shembull përngjasues nuk sjellin dot ata (për ta kundërshtuar ose për të gjetur ndonjë gabim tek ti ose te ky Kur’an), vetëm se Ne të shpallim ty të Vërtetën dhe prej këndej shpjegimin më të mirë.” [el Furkan, 33].

  1. Shkallëzimi në vënien e dispozitave sipas gjendjes së njerëzve.

Transmetohet nga Aisha (radiallahu anha) se ka thënë: “Ajo që ka zbritur më parë prej tij (Kuranit) ka qenë një sure nga suret e shkoqitura (el Mufasal) në të cilën përmendet xheneti dhe xhehenemi. Dhe kur njerëzit iu drejtuan Islamit, zbriti hallalli dhe harami. E sikur të zbriste që në fillim: “Mos e pini alkoolin!”, njerëzit do të thoshin: “Nuk e lëmë kurrë alkoolin”, dhe sikur të kishte zbritur që në fillim: “Mos bëni kurvëri!”, do të thoshin: “Nuk do ta lëmë kurrë kurvërinë.” Kur unë isha ende e vogël dhe luaja, në Mekë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) i zbriti ajeti: “Por jo, afati i tyre është Ora (Kiameti) dhe Ora do të jetë më e tmerrshme dhe më e hidhur.” [El Kamer, 46].

Dhe nuk ka zbritur surja el Bekare dhe en Nisa, veçse kur unë isha tek ai (salallahu alejhi ue selem).”[3]

Është mëse i njohur ndikimi i shkallëzimit në edukimin dhe ndërtimin e personalitetit, dhe e sheh ndikimin e zbritjes së Kuranit në pjesë tek mbjella më e madhe të cilën e mbolli i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tek shokët e tij, si shembulli i të cilëve historia nuk ka parë ndonjëherë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

Shto këtu edhe dobinë e shkallëzimit në zbritjen e kuranit për lehtësimin e marrjes së Kuranit dhe përvetësimit të tij në të mësuar përmendësh dhe në të kuptuar.

  1. Përforcim i vërtetësisë së të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) me faktin se ajo me të cilën ka ardhur është nga Allahu.

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk mendojnë thellë për Kur’anin? Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.” [En Nisa, 82].

Pra, një Libër, pjesët e të cilit shpallen për një kohë relative prej 23 vjetësh, nuk gjen në të diçka nga fundi që të kundërshtojë diçka që është shpallur nga fillimi i tij dhe as të jetë në kundërthënie me të!

Përkundrazi, pjesët e zbritura më pas i përforcojnë dhe i vërtetojnë ato të mëparshmet.

Ky është prej argumentve më të mëdha se Kurani është prej më të Urtit, të Gjithënjohurit. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, mendja e të cilit e bredh atë në çdo luginë, as fjalë e ndonjë fallxhori të cilin e mashtrojnë djajtë me gënjeshtra, madje as fjalë e ndonjë njeriu të zgjuar dhe të shkolluar, gjuha e të cilit flet me urtësi dhe qartësi, pasi që më i zgjuari i të zgjuarve me mendjen e tij e sheh sot se dje ka qenë gabim apo ka lënë diçka mangut.

Ka edhe njerëz të specializuar në ndonjë shkencë apo art, ku mund të jetë kokë në fushën e tij, dhe ndoshta ka punuar në të dekada me radhë duke rregulluar, shtuar e spastruar. Për vite me radhë ai nuk i nxjerr njerëzve asgjë, pastaj libri i tij del për të qenë argument për njerëzit në atë art të caktuar; sa kritikë gjen për librin e tij? Sa korrigjues dhe rregullues të të metave të tij?

Ndërsa ky Kuran ka zbritur për njëzetë e disa vjet, duke zbritur ca e nga ca, një sure ose disa ajete, madje një ajet ose një pjesë ajeti, me të rejat e të cilit njerëzit gdhiheshin dhe ngryseshin, megjithatë asnjë gërmë nuk ka ardhur në kundërshtim me një tjetër, asnjë fjalë në kundërshtim me një tjetër, asnjë kuptim në kundërshtim me një tjetër. Atë ua lexonte njerëzve një Pejgamber analfabet, i cili para tij (zbritjes së Kuranit) nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante, (salallahu alejhi ue selem): “Dhe ti (Muhammed) as nuk lexove ndonjë libër para tij (Kur’anit), as nuk shkrove kurrë ndonjë libër me të djathtën tënde. Në një rast të tillë, ndjekësit e të pavërtetës e të së kotës do të mund të kishin dyshuar.” [El Ankebut, 48].

“Dhe kështu Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) Ruhun (Frymëzim dhe Mëshirë) nga Urdhëri dhe Vullneti Ynë. Ti nuk e dije as ç’është Libri dhe as ç’është Imani (Besimi), por Ne e kemi bërë atë (këtë Kur’an) dritë, që Ne të udhëzojmë me anë të tij atë që Ne duam nga robët Tanë. Dhe padyshim që ti (O Muhammed) sigurisht që po udhëheq (njerëzimin) në Udhën e Drejtë (në Fenë e Allahut, në Islam).” [Esh Shura, 52].

“Vërtet se ata që nuk besuan në Mesazhin Përkujtues (Kur’an) kur ai u erdhi atyre (do të marrin dënimin). Dhe ai është një Libër i nderuar dhe i vlerësuar (sepse ai është Fjala e Allahut dhe Ai e ruan atë nga çdo shtrembërim). Nuk hyn gënjeshtra në të as nga para, as nga prapa: ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.” [Fusilet, 41-42].

Kush e zbriste Kuranin

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve). Të cilin Ruhul emin (shpirti i besueshëm, Xhibrili) e ka zbritur në zemrën tënde (O Muhammed) që të mund të jesh prej këshilluesve, (i zbritur) në gjuhën e qartë Arabe.” [Esh Shuara, 192-195].

“Thuaj (O Muhammed): “Ruhul Kudus (shpirti i shenjtë, Xhibrili) e ka zbritur atë (Kuranin) prej Zotit tënd padyshim me të Vërtetën, që ai të mund t’i forcojë e t’i bëjë të qëndrueshëm (në besim) ata që besuan si dhe udhëzues e përgëzues për Muslimanët (të cilët i janë nënshtruar plotësisht Allahut).” [En Nahl, 102].

“(Betohem) për yllin kur ai bie (e shuhet)! Shoku juaj (Muhammedi) as nuk ka humbur rrugën e drejtë, as nuk ka gabuar. As nuk flet ai nga dëshira (e vetë atij). Është vetëm Shpallje që i frymëzohet. Atij i është mësuar (ky Kuran) nga një i lartë në fuqi (Xhibrili), një i pastër nga çdo e metë në mendje e trup …” [En Nexhm, 1-6].

I larti në fuqi është po i njëjti shpirti i besueshëm dhe shpirti i shenjtë, ai është engjëlli Xhibril (alejhi selam), siç thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “Kushdo që është armik i Xhibrilit (le të vdesë në zemërimin e tij), sepse në të vërtetë ai e ka sjellë këtë (Kuran) në zemrën tënde me Vullnetin dhe Lejen e Allahut duke përforcuar çfarë ka ardhur më parë, që është në duart e tyre (Teurati dhe Inxhili) dhe si udhëzim e përgëzim për besimtarët.” [El Bekare, 97].

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka njoftuar për formën se si i vinte shpallja. El Harith ibën Hisham (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti atë: “O i Dërguari i Allahut! Si të vjen shpallja? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Ndonjë herë më vjen si tingulli i ziles, dhe kjo është më e vështira për mua, dhe kur më lëshon, e kam perceptuar atë që më ka thënë. Ndonjëherë tjetër më vjen engjëlli në formën e një burri i cili më flet dhe unë e perceptoj atë që më thotë.”[4]

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka parë Xhibrilin në formën e tij reale vePejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka parë Xhibrilin në formën e tij reale veçse dy herë, siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilën e pyeti Mesruk ibën el Exhdei për Fjalën e Allahut: “Dhe vërtet që ai (Muhammedi) e pa atë (Xhibrilin) në hapësirën e pastër (drejt lindjes).” [Et Tekvir, 23] Dhe për Fjalën e Allahut: “Dhe vërtet që ai (Muhammedi) e pa atë (Xhibrilin) në një zbritje tjetër (edhe një herë tjetër).” [En Nexhm, 13].

Aisha tha: “Unë jam e para nga ky popull që e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) për këtë gjë dhe ai më tha: “Ai është Xhibrili. Nuk e kam parë atë në formën e tij në të cilën është krijuar veçse në këto dy raste. E pashë atë duke zbritur nga qielli, dhe madhështia e tij si krijesë e zinte mes qiellit dhe tokës.”[5]


[1] Të dy këto ethere (fjalë të sahabiut) janë të sakta. Ato i ka nxjerrë Ibën Xherir et Taberi në “Tesfsirin” e tij, me zinxhir të saktë transmetimi.

[2] Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i diktoi atij: “Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut…” – (Zejdi) Thotë: Në atë kohë vjen Ibën Umi Mektum kur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) po ma diktonte atë ajet, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të mundja të shkoja në xhihad, do të shkoja. –Ai ishte një burrë i verbër-. Në atë çast Allahu i zbriti të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), kofsha e të cilit ishte mbi kofshën time dhe m’u rëndua aq shumë, sa që thashë se mu këput kofsha. Pastaj i ranë si të fikët dhe zbriti Fjala e Allahut të Madhëruar: “përveç atyre që janë të pamundur”.

Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu (nr. 2677, 4316].

Ndërsa në të dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit gjendet hadith i ngjashëm me këtë, nga el Bera ibën Azib.

[3] Hadith i saktë. E transmeton Buhariu (nr. 4707).

[4] Hadith i saktë. Muttefekun alejhi: Buhariu (2, 3043) dhe Muslimi (2333), nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

[5] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Ahmedi (6/236, 241), Muslimi (177), Tirmidhiu (3070); nga disa rrugë transmetimi. Tirmidhiu ka thënë: “Ky hadith është Hasen Sahih”.