Kurimi i zemrës së sëmurë nga djalli

 


Nga libri: Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit – Igathetu el Lehefan Fi Mesajidi esh Shejtan

Autor: Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibën Kajim el Xheuzije (691-751 H. / 1292-1350)

Përktheu: Bledar Albani


Kapitulli i Dymbëdhjetë

Ky është një nga kapitujt më të rëndësishëm të librit dhe me dobinë më të madhe. Asketët bashkëkohor nuk janë kujdesur për këtë temë ashtu si janë kujdesur për përmendjen e vetvetes dhe të metat e sëmundjet e saj, ku janë zgjeruar shumë, kurse këtë temë e kanë lënë shumë mangët.

Kushdo që vëzhgon me kujdes Kuranin dhe Traditën Profetike, gjen se ato janë kujdesur për përmendjen e djallit, kurtheve dhe armiqësisë së tij më shumë se për përmendjen e vetvetes; madje vetvetja negative është përmendur në fjalën e Allahut: “Me të vërtetë, vetvetja është shumë urdhëruese e së keqes!” [Jusuf, 53]; vetvetja qortuese është përmendur në fjalën e Allahut: “Dhe betohem në vetveten qortuese” [El Kijameh, 2]; dhe është përmendur gjithashtu vetvetja negative në fjalën e Allahut: “Dhe që e ndalon vetveten nga dëshirat e saj!” [En Naziat, 40]. Ndërsa djalli është përmendur në ajete të shumta, madje për të është dedikuar një sure e tërë (surja En Nas). Paralajmërimi që i bën Allahu robërve të Tij nga djalli është përmendur në Kuran shumë herë më shumë se paralajmërimi nga vetvetja, dhe kështu duhet, sepse e keqja e vetvetes dhe prishja e saj lind nga ngacmimi i djallit; vetvetja është mjeti mbartës i djallit, vendi i tij i fshehtë dhe objekti i bindjes ndaj tij. Allahu ka urdhëruar që robërit e Tij t’i kërkojnë mbrojtje Atij nga shejtani kur lexojnë Kuran dhe në shumë raste të tjera, dhe kjo për shkak të nevojës së madhe që ka njeriu për t’u mbrojtur nga shejtani dhe e keqja e tij, po nuk është urdhëruar që të kërkojë mbrojtje nga e keqja e vetvetes në asnjë ajet të Kuranit, por kjo ka ardhur në hapjen e fjalimit të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), ku thuhet: “Dhe i kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e vetveteve tona dhe e veprave tona!” siç u përmend në kapitullin para këtij.

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka bashkuar mes kërkimit të mbrojtjes së Allahut nga të dy këta armiq të tij: vetvetes dhe shejtanit, në hadithin që Tirmidhiu e ka nxjerrë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se Ebu Bekri (radiallahu anhu) tha : “O i Dërguari i Allahut! Më mëso ndonjë lutje që ta them në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Thuaj: Zoti im! Njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes! Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! Zoti i çdo gjëje dhe Zotëruesi i saj! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e vetvetes sime, dhe nga e keqja e shejtanit dhe idhujtarisë së tij (që ai urdhëron) – në një transmetim tjetër thuhet: dhe nga rrjeta e tij me të cilën ai gjuan njerëzit – apo që t’i sjell vetvetes sime ndonjë të keqe apo ta çoj atë për t’i bërë keq ndonjë muslimani!” Thuaje këtë në mëngjes, në mbrëmje dhe kur të shkosh në shtrat për të fjetur.”[1]

Ky hadith ka përfshirë kërkimin e mbrojtjes së Allahut nga e keqja, shkaqet e së keqes dhe rezultatet e së keqes. E gjithë e keqja buron ose nga vetvetja ose nga shejtani; rezultati i saj do i kthehet ose vetë personit ose vëllait të tij musliman. Pra, hadithi ka përfshirë dy burimet e së keqes, nga e cila buron e keqja, dhe dy rezultatet apo përfundimet ku të çon e keqja.

Nëntemë

[Kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani; domethënia dhe dobitë e kësaj]

Allahu i Madhëruar thotë: “98. Kur të lexosh Kuranin, kërkoi mbrojtje Allahut nga djalli i mallkuar![2] 99. Sigurisht që ai (djalli) nuk ka asnjë pushtet mbi ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre.[3] 100. Por pushteti i tij (djallit) është vetëm mbi ata, të cilët e marrin atë si mbrojtës, dhe të cilët për shkak të tij i bëjnë shok Allahut.[4]” [En Nahl, 98-100].

Domethënia e fjalës “Kërkoi mbrojtje Allahut” është: Mbrohu me Allahun, drejtohu tek Ai për mbrojtje, strehohu tek Ai, afrohu tek Ai.

Pra, Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që t’i kërkohet mbrojtje Atij nga shejtani i mallkuar kur lexon Kuran, dhe kjo për disa arsye:

– Kurani është shërim për ato që janë në gjokse (zemrat) dhe largues i asaj që hedh shejtani në to prej ngacmimeve, epsheve dhe dëshirave të prishura; pra Kurani është shërim për dëmet që shkakton shejtani në zemra, kështu që Allahu ka urdhëruar të eliminohet lënda bazë dhe shkaku i sëmundjes, dhe të pastrohet zemra prej tij, në mënyrë që ilaçi (Kurani) të hyjë në një vend bosh, të zërë vend në të dhe të ndikojë në të. Kur të vijë ky ilaç shërues (Kurani) në zemrën që është zbrazur nga rivalët apo të kundërtat e tij, patjetër që do ta shërojë atë dhe do t’i bëjë dobi asaj.

– Kurani është lënda e parë e udhëzimit, e dijes dhe e së mirës për zemrën, ashtu si uji për bimët; kurse shejtani është zjarr që i djeg bimët një e nga një; sa herë që ndjen mbirjen e së mirës në zemër, ai shpejton në prishjen dhe djegien e saj; prandaj besimtari është udhëruar që t’i kërkojë mbrojtje Allahut nga shejtani, që të mos i prish atë që ai arrin me leximin e Kuranit.

Dallimi mes kësaj pike dhe pikës para kësaj është se në pikën e parë, kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani është për shkak të arritjes së dobisë së Kuranit në zemër, kurse në këtë pikë, shkaku është që dobia e Kuranit të qëndrojë, të ruhet dhe të vazhdojë në zemër. Prej këtu, ata që kanë thënë se kërkimi i mbrojtjes nga shejtani duhet bërë pas leximit të Kuranit dhe jo para tij, mund të kenë marrë parasysh këtë kuptim, dhe pasha Allahun, kjo është një vërejtje e mirë, por suneti i të Dërguarit dhe gjurmët e shokëve të tij thonë se kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani bëhet para leximit të Kuranit, dhe ky është mendimi i shumicës dërmuese të dijetarëve prej selefëve dhe të mëvonshmëve, dhe kjo gjithësesi i përfshin të dyja këto pika.

– Engjëjt i afrohen atij që lexon Kuran dhe dëgjojnë leximin e tij, siç ka ardhur në hadithin e përcjellë nga Usejd ibën Hudajr, i cili ishte duke lexuar Kuran dhe pa diçka si hije, në të cilën gjendeshin disa si llamba, dhe i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) i tha atij në lidhje me këtë: “Ata janë engjëjt!”[5] kurse shejtani është e kundërta e engjëjve dhe armiku i tyre, prandaj Allahu e ka urdhëruar atë që lexon Kuran, që të kërkojë mbrojtjen e Allahut për të larguar armikun e tij, në mënyrë që të vijnë engjëjt e Allahut; sepse kjo është një gosti në të cilën nuk mund të bashkohen edhe engjëjt edhe shejtanët.

– Shejtani i vjen lexuesit të Kuranit me ushtrinë e tij kalorëse apo këmbësore, deri sa t’ia largojë mendjen nga ajo që është synim të arrihet me leximin e Kuranit – studimi, kuptimi dhe njohja e asaj që ka për qëllim Allahu të thotë në Kuran – kështu që përpiqet me të gjitha fuqitë e tij që të bëhet pengesë mes zemrës dhe mes synimit të Kuranit; dhe atëherë lexuesi nuk do të përfitojë si duhet nga Kurani, prandaj është urdhëruar që para se të lexojë Kuran t’i kërkojë mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar.

– Lexuesi i Kuranit i flet dhe i lutet Allahut me Fjalën e Tij, kurse leximi i shejtanit është poezia dhe muzika, kështu që lexuesi i Kuranit është urdhëruar të largoje shejtanin duke kërkuar mbrojtjen e Allahut kur i flet Allahut dhe kur Allahu dëgjon leximin e tij të Kuranit.

– Allahu ka treguar në Kuran se të gjithë të dërguarit që Ai ka dërguar, kur lexonin shpalljen e Allahut, djalli ndërhynte në leximin e tyre, por Allahu i zhdukte ndërhyrjet e djallit dhe më pas i forconte shpalljet e Veta [ajeti 52, i sures El Haxh]. Përderisa djalli e bënte këtë gjë me të dërguarit e Allahut, atëherë si vepron me të tjerët?! Prandaj, ai herë ngatërron lexuesin dhe i ngatërron leximin apo ia harron atë, apo i largon mendjen dhe i ngatërron gjuhën, apo i ngatërron kuptimin dhe i largon zemrën; kështu që kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani i mallkuar para leximit të Kuranit ëshë shumë e rëndësishme.

– Më i gatshëm që rri djalli kundër njeriut është në kohën kur ky vendos të kryejë një vepër të mirë apo e fillon atë, atëherë ai e sulmon më shumë dhe më fortë për ta shkëputur dhe ndaluar prej saj. Në “Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit, përmendet hadithi në të cilin i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Një shejtan nga xhinët më doli para befasisht mbrëmë dhe deshi të më ndërpriste namazin, por Allahu më mundësoi që ta kap dhe atëherë mendova ta lidhja në një nga shtyllat e xhamisë, që ta shihnit që të gjithë, por kujtova lutjen e vëllait tim, Sulejmanit: “Zoti im! Më dhuro një pushtet që nuk do e ketë askush pas meje!” kështu që e lashë të ikte i humbur dhe i përçmuar.”

Sa më e dobishme të jetë vepra e njeriut dhe sa më e dashur të jetë ajo tek Allahu, aq më i madh është sulmi i shejtanit ndaj tij.

Në “Musnedin” e Imam Ahmedit, përmendet hadithi i Sebrah ibën Ebi el Fakif, i cili kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thoshte: “Djalli i zë pritë birit të Ademit në të gjitha rrugët e tij. Kur ai pranon Islamin, djalli i thotë: “A do të bëhesh musliman dhe do të lësh fenë tënde dhe të etërve të tu?!” Kur njeriu nuk i bindet djallit dhe bëhet musliman, ai i zë pritë atij në rrugën e emigrimit dhe i thotë: “A do të emigrosh dhe do të lësh tokën dhe qiellin tënd?!” Por shembulli i emigruesit për hir të Allahut është si kalorësi në forcë dhe fuqi, kështu që nuk i bindet djallit dhe emigron. Pastaj, djalli i zë pritë atij në rrugën e xhihadit – i cili është lufta me trup dhe me pasuri për hir të Allahut – dhe i thotë: “A do të luftosh që të vritesh, pastaj gruaja jote të martohet me burrë tjetër dhe pasuria jote të ndahet?!”[6]

Pra, djalli i zë pritë njeriut në rrugën e çdo të mire, sidomos kur lexon Kuran, prandaj Allahu e ka urdhëruar njeriun që ta luftojë armikun e tij, i cili i pret rrugën, dhe t’i kërkojë mbrojtje Allahut prej tij së pari, pataj të filloi të ecë; ashtu si udhëtari kur atij i pret rrugën një bandit, së pari do të merret me shpëtimin prej tij, pastaj do të vazhdojë rrugën.

– Kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga djalli para leximit të Kuranit është titull dhe njoftim se ajo që do thuhet më pas është Fjalë e Allahut në Kuran, prandaj edhe nuk është ligjëruar kjo gjë kur do të përmendësh fjalën e dikujt tjetër përveç Allahut; por fjala “eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim” është parathënie dhe tërheqje e vëmendjes së dëgjuesit se ajo që do të thuhet është lexim nga Kurani, dhe kështu dëgjuesi bëhet gati të dëgjojë Fjalën e Allahut; pastaj kjo gjë është ligjëruar për të çdokënd që lexon Kuran, qoftë edhe vetëm, për urtësitë që i përmendëm më sipër, e të tjera urtësi.

Këto ishin disa nga dobitë e thënies “Eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim” para leximit të Kuranit.

Imam Ahmedi, në transmetimin e Hanbelit nga ai, thotë: “Kurdo që të lexosh Kuran, në namaz apo jashtë namazit, duhet të thuash “eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim”, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të lexosh Kuranin, kërkoi mbrojtje Allahut nga djalli i mallkuar!” [En Nahl, 98].

Ndërsa në transmetimin e Ibën Mushejsh thuhet: “Sa herë që të lexosh Kuran, thuaj: ‘Eudhu bilahi minesh shejtanirr rraxhim’.”

Abdullah ibën Hanbel thotë: “Kam dëgjuar babanë tim (imam Ahmedin) që kur lexonte Kuran thoshte “Eudhu bilahi minesh shejtanirr rraxhim, InnaAllahe huve es Semijul Alijm! – I kërkoj mbrojtje Allahut nga djalli i mallkuar! Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi!”

Në “Musned” të Imam Ahmedit dhe në “Sunen” të Tirmidhiut, ka adhur hadithi nga Ebu Seid El Hudri (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kur i Dërguari i Allahut ngrihej për t’u falur, thoshte lutjen e fillimit të namazit (pas tekbirit fillestar dhe para leximit të Fatihasë), pastaj thoshte: “Eudhu bilahi es Semijil Alim minesh shejtanirr rraxhim, min hemzihi, ue nefkhihi ue nefthihi” – I kërkoj mbrotje Allahut, Gjithëdëgjuesit dhe të Gjithëdijshmit, të më ruajë nga djalli i mallkuar, nga cytja e tij, nga mendjemadhësia e futur prej tij dhe nga poezia e inspiruar prej tij!”[7]

Ibnul Mundhir thotë “Është përcjellë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), para leximit të Kuranit, thoshte: “Eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim!”

Imam Shafiu, Ebu Hanifja dhe El Kadi (Gjykatësi Ijad) në “El Xhami’” kanë zgjedhur të thuhet vetëm: “Eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim!” (Dmth. në fillim të namazit dhe kur lexon Kuran).

Po kështu thuhet edhe në një transmetim të Ahmedit, duke u bazuar në tekstin e Kuranit dhe në hadithin e Ibën Mundhirit.

Kurse në transmetimin tjetër të Ahmedit, nga i biri i tij, Abdullahi, ka zgjedhur të thuhet: “Eudhu bilahi Essemijil Alijm minesh shejtani rraxhim!”; bazuar në hadithin e Ebu Seidit. Ky është edhe mendimi i zgjedhur nga El Haseni dhe Ibën Sirijn. Për këtë mendim argumenton gjithashtu hadithi i nxjerrë nga Ebu Daudi, që flet për historinë e shpifjes ndaj Aishes (radiaAllahu anha), ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ul, zbuloi fytyrën, pastaj tha: “Eudhu bilahi Essemijil Alijm minesh shejtani rraxhim!” [Hadith i dobët; Daif Suneni Ebi Daud, 167].

Is’haku thotë: “Ajo që zgjedh është shprehja e përcjellë nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Allahumme inni eudhu bike minesh shejtani rraxhim, min hemzihi, ue nefkhihi, ue nefthihi!” – “Zoti im! Unë kërkoj mbrojtjen Tënde ndaj djallit të mallkuar, nga cytja e tij, nga mendjemadhësia e futur prej tij dhe nga poezia e inspiruar prej tij!” Madje në këtë hadith ka ardhur edhe shpjegimi i këtyre fjalëve: “Hemzuhu – një lloj çmendurie; nefkhuhu – mendjemadhësia; nefthuhu – poezia.” [Ahmedi, 4/80; Taberani; Ibën Maxheh si fjalë të Amër ibën Murrah, (807)..].

Allahu i Madhëruar thotë: ‎”97. Dhe thuaj: “Zoti im! Kërkoj të më mbrosh nga tundimet e djajve,‎ 98. dhe Ty të kërkoj mbrojtje, o Zoti im, që të mos më afrohen (djajtë)!”‎ [El Mu’minun, 97-98]. Tundimet e djajve janë nxitjet dhe shtytjet e tyre.

Ebu Ubejd ka përcjellë nga El Kesai (në Garibul Hadith, 3/77-78): “Hemezetuhu, lemezetuhu, lehezetuhu dhe nehezetuhu; që të gjitha kanë kuptimin e tundimit, shtytjes dhe nxitjes.

Pas hulumtimit, kuptimi i hemezateve të djajve është se ato janë shtytje me shpim dhe ngacmim që i ngjan shpimit me shpatë apo thikë, pra një lloj shtytje e veçantë. Pra, cytjet e djajve janë shpimet dhe shtytjet e cytjeve dhe nxitjeve për t’i futur ato në zemër.

Ibën Abasi dhe el Hasen thonë: “Hemezatu esh shejatijn” – dmth: nxitjet dhe cytjet e tyre.

Mund të thuhet gjithashtu, madje kjo është më afër të saktës, se: kur shprehja “nxitjet e djajve” përmendet e vetme, atëherë i përfshin të gjitha ngacmimet dhe dëmet që i vijnë njeriut nga djajtë; dhe nëse përmendet e shoqëruar me fjalët ‘nefkh’ dhe ‘nefkh’, atëherë secila ka kuptimin e vet.

Pastaj, në ajetin 98 (të sures Mu’minun) thuhet: “dhe Ty të kërkoj mbrojtje, o Zoti im, që të mos më afrohen (djajtë)!” Ibën Zejd thotë: “D.m.th. të mos më afrohen në çështjet e mia”; kurse el Kelbi thotë: “Kur të lexoj Kuranin.”; Ikrimah thotë: “Kur të jem në agoninë e vdekjes.”

Pra, Allahu ka urdhëruar që të kërkojmë mbrojtjen e Tij dhe strehim tek Ai nga të dyja llojet e të keqes së djajve: tundimit të tyre dhe afrimit të tyre; pra ky kërkim i mbrojtjes përfshin mosprekjen nga djalli dhe mos afrimin e tyre tek ti, dhe këtë fjalë Allahu e ka thënë menjëherë pas fjalës së Tij: “Përgjigju të keqes me atë që është më e mira. Ne e dimë mirë se çfarë përshkruajnë ata.‎” [El Mu’minun, 96] – pra urdhëroi që të ruhemi nga e keqja e djajve njerëz duke ia kthyer të keqen e tyre me më të mirën tonë, dhe që ta shtyjnë të keqen e djajve prej xhinëve duke i kërkuar mbrojtje Allahut prej tyre.

E ngjashme me këtë është edhe Fjala e Allahut në Suren el A’raf, 199: “Prano të tepërtën (në zekat),‎‎ urdhëro për të mirën  dhe largohu nga injorantët!‎” Pra, ka urdhëruar për ta shtyrë dhe larguar të keqen e injorantëve duke i kthyer shpinën dhe duke u larguar prej tyre; pastaj, në ajetin në vijim, ka urdhëruar për të shtyrë dhe larguar të keqen e djajve duke i kërkuar Atij mbrojtje prej tyre: ‎”200. Kurdo që të vjen ndonjë cytje nga djalli, kërko strehim tek Allahu.‎ ‎ Vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.‎”

Ngjashëm me këtë ka ardhur edhe në suren Fussilet, 34: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” Në këtë mënyrë kthen dhe largon të keqen e djallit prej njerëzve; pastaj thotë në ajetin 36: “Nëse djalli fillon të të joshë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.”

Këtu, në suren Fussilet, thotë: “Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi”, në formën e Emrit të përveçëm, kurse në ajetin suren El A’araf, ajeti 200, thotë: “Ai dëgjon dhe di gjithçka.‎”

Sekreti për këtë, e Allahu e di më mirë, është se në suren Fussilet është shprehur me përforcim të dëgjimit dhe dijes së Tij, të Madhërishmit, sepse konteksti e kërkon kështu pas mohimit që Allahu i bën atyre që dyshojnë se Ai i dëgjon fjalët e tyre dhe se di gjithçka për ta; siç ka ardhur në hadithin e nxjerrë në dy Sahihat, e Buhariut dhe Muslimit, nga Ibën Mesudi (radiallahu anhu), i cili thotë: “U bashkuan tre persona pranë Kabes: dy nga fisi Kurejsh dhe një nga fisi Thekafi; ose dy nga fisi Thekafin dhe një nga fisi Kurejsh; me dhjam të shumtë në barqet e tyre, por me pak kuptim e mend në zemrat e tyre, dhe thanë: “A mendoni se Allahu i dëgjon ato që flasim ne?” Njëri prej tyre tha: “I dëgjon nëse i themi me zë të lartë, por nuk i dëgjon nëse i themi nën zë.” I dyti tha: “Nëse dëgjon disa prej tyre, atëherë i dëgjon të gjitha ato që themi.” Atëherë Allahu zbriti ajetet 22 dhe 23 të sures Fussilet: “22. Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë

nga ato që bënit. 23. Ky mendim që keni pasur për Zotin tuaj, ju shkatërroi e ju u bëtë humbës.”

Kështu që më pas, në ajetin 36, të sures Fussilet, Allahu e përmendi të përforcuar dhe me Emra të Përveçëm të Tij, se “Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi”, për tju përgjigjur këtij konteskti të mohimit të fjalës së tyre; pra Allahu është i Vetmi që zotëron fuqinë absolute të dëgjimit të gjithçkaje dhe të përfshirjes së gjithçkaje me dijen e Tij absolute; dhe jo ashtu si mendojnë armiqtë e Tij injorantë, se Ai nuk dëgjon nëse ata flasin me zë të ulët apo pa zë, dhe se Ai nuk di gjë për shumë gjëra që ata veprojnë.

Përveç kësaj, ka edhe diçka tjetër, se në suren Fussilet, Allahu urdhëron që e keqa e djajve prej njerëzve t’u kthehet duke u bërë mirë atyre, gjë e cila është më e rëndë dhe më e vështirë që të bëhet nga ai të cilit i bëhet padrejtësi, se sa thjesht largimi prej tyre, prandaj pas kësaj thotë në ajetin 35: “Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” Kështu që ishte më e përshtatshme që pas kësaj të theksonte me përforcim se Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.

Përveç kësaj, konteksti këtu në suren Fussilet vjen për të pohuar Atributet e Tij Absolute dhe provat e vërtetësisë së tyre dhe se Ai është Zoti dhe Krijuesi i Vetëm, Ai që meriton të adhurohet, prandaj më pas vijon me ajetet që flasin për provat e Tij: “37. Ndër shenjat e Tij janë nata dhe dita, si dhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!” Pastaj në ajetin 39: “Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë.”

Kurse në suren El A’raf, konteksti bën fjalë për kërcënimin e idhujtarëve dhe vëllezërve të tyre prej djajve, kurse nga ana tjetër premtimin për besimtarët që kërkojnë mbrojtjen e Allahut, se ata kanë një Zot që dëgjon dhe di gjithçka; ndërsa zotat e idhujtarëve që ata i adhurojnë në vend të Allahut, nuk kanë sy që shohin apo vesh që dëgjojnë; pra Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm, kurse idhujt nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe nuk dinë asgjë, kështu që si mund t’i barazojnë ato me Allahun në adhurim?! Pra, ka një lidhje dhe sekret të veçantë në përdorimin e fjalës apo shprehjes së caktuar në çdo ajet të Kuranit, sipas kontekstit, e Allahu i di më mirë të fshehtat dhe sekretet e Fjalëve të Tij.

Po kështu, kur objekti, nga i cili besimtari urdhërohet të kërkojë mbrojtjen e Allahut në suren “Hamim” (Gafir), është polemika e mohuesve në provat dhe argumentet e Allahut, dhe çfarë e pason atë prej veprave të tyre të dukshme me sy, Allahu thotë: “56. Ata që polemizojnë për shpalljet e Allahut, pa pasur kurrfarë prove, kanë në zemrat e tyre vetëm mendjemadhësi, e cila nuk do t’i shpjerë në qëllimin e tyre. Prandaj kërko mbrojtje prej Allahut! Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Gafir, 56]. Pra, përderisa ajo nga e cila kërkohet mbrotja e Allahut është fjala dhe vepra e tyre e dukshme, atëherë Allahu përdor Emrat e Tij të Përveçëm: “Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.”

Kurse në ajetet e përmendura më sipër, objekti nga i cili kërkohet mbrojtja e Allahut është i padukshëm për ne, pra djalli, i cili na sheh, ai dhe lloji i tij, nga ajo anë që ne nuk i shohim ata, por që e dimë këtë gjë me besimin tonë, me atë që na ka treguar Allahu dhe i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem).

Nëntemë

Pra, Kurani ka udhëzuar në kthimin mbrapsht dhe shtytjen e këtyre dy armiqve (prej njerëzve dhe djajve) me mënyrën më të lehtë dhe më të thjeshtë: Duke i kërkuar mbrojtje Allahut, duke kërkuar strehim tek Allahu; dhe duke u larguar nga injorantët e duke e kthyer të keqen e tyre me të mirë ndaj tyre; dhe (Kurani) na ka treguar se ai që vepron kështu, ka një fat të madh; ai arrin të largojë të keqen e armikut dhe kthimin e tij në mik dhe shok, dhe arrin dashurinë e njerëzve për të, lavdërimin e tij prej tyre, mundjen e nefsit të vet, pastrimin e zemrës nga urrejtja e smira dhe qetësimin e njerëzve, madje edhe të armiqve, tek ai; përveç asaj që arrin prej nderimit që Allahu i bën atij, shpërblimin e mirë e të madh që i jep dhe kënaqjen prej tij; gjë që është synimi madhor i fatit të madh, në këtë botë dhe në botën tjetër. Por përderisa kjo nuk mund të arrihet veçse me durim, Allahu thotë: “Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë…” [Fussilet, 35]; kurse personi i vrullshëm dhe i pamatur nuk mund të durojë pa ia kthyer njësoj sulmuesit të tij.

Përderisa zemërimi është varka e djallit – dhe kështu nefsi (vetvetja) i zemëruar bashkëpunon me djallin kundër nefsit të qetë që urdhëron për ta kthyer të keqen me të mirë -, atëherë urdhërohesh që ta ndihmosh nefsin e qetë me kërkimin e mbrojtjes së Allahut, dhe kështu ky kërkim i mbrojtjes së Allahut ndihmon nefsin e qetë dhe e forcon atë, në mënyrë që të përballojë ushtrinë e nefsit të zemëruar; pastaj vjen ndihma e durimit, bashkë me të cilën vjen edhe fitorja, dhe vjen ndihma e besimit dhe e mbështetjes tek Allahu, dhe kështu mposhtet dhe rrëzohet pushteti i shejtanit: “sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.” [En Nahl, 99]. Muxhahidi, Ikrima dhe interpretuesit e Kuranit thonë: “nuk ka pushtet” d.m.th. nuk ka asnjë provë kundër besimtarëve; por kuptimi i saktë është që: nuk ka asnjë rrugë apo mënyrë që t’i pushtojë e të ketë pushtet mbi ta, as nga ana e provave as nga ana e mundësisë dhe fuqisë; sepse fuqia përfshihet në atë që quhet pushtet; dhe Allahu ka treguar se armiku i Tij, djalli, nuk ka asnjë pushtet mbi robërit e Tij të sinqertë, që i mbështeten Atij, prandaj thotë në suren El Hixhr: “39. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, 40. përveç robërve të Tu të sinqertë”. 41. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. 42. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”

Kurse në suren En Nahl, thotë: «98. Kur dëshiron të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut

kundër djallit të mallkuar, 99. sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që

besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. 100. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.”

Këto ajete përmbajnë dy gjëra:

E para: Mohimi i pushtetit të djallit dhe rrëzimi i tij nga njësuesit e Allahut me sinqeritet.

E dyta: Pohimi i pushtetit të djallit mbi ata idhujtarët dhe ata që e marrin atë për mik.

Dhe kur armiku i Allahut, Iblisi, e mësoi se Allahu nuk do e lejonte atë të kishte pushtet mbi besimtarët e sinqertë të Allahut, tha: “82. Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të gjithë, 83. përveç robërve të Tu të sinqertë!” [Sad, 82-83]. E mësoi armiku i Allahut se kushdo që i kërkon mbrojtje Allahut, që është i sinqertë me Allahun dhe që i mbështetet Allahut, nuk ka fuqi që ta tundojë apo të humbë atë, por pushteti i tij është mbi ata që marrin për mik atë dhe që i bëjnë shok Allahut, këta janë kopeja e tij dhe ai është miku i tyre, mbreti i tyre dhe idhulli i tyre që ata pasojnë.

Nëse dikush thotë: Është pohuar se djalli ka pushtet mbi miqtë e tij prej njerëzve në këtë ajet, kështu që si mohohet kjo gjë në ajetin tjetër ku thuhet: “20. Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë. 21. Por ai (Iblisi) nuk ka pasur kurrfarë pushteti mbi ta. Ne vetëm kemi dashur të zbulojmë se kush beson në jetën tjetër e kush dyshon në të. Zoti yt është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” [Sebe’, 20-21];

Atëherë i thuhet: Nëse përemri “ata”, në Fjalinë “Por ai (Iblisi) nuk ka pasur kurrfarë pushteti mbi ta” kthehet tek besimtarët, atëherë pyetja e mësipërme rrëzohet, dhe përjashtimi në fjali është i ndërprerë, dhe kuptimi është: Por Ne i sprovuam ata me Iblisin (djallin), për të parë se kush do të besojë në botën tjetër dhe kush do të jetë në dyshim për të.

Dhe nëse përemri “ata” i kthehet atyre tek të cilët është kthyer në Fjalën e Allahut: “Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij”, gjë e cila është më pranë kuptimit të saktë, në mënyrë që të përshtatet përjashtimi i ndërprerë me realizimin e tij pas mohimit, dhe kështu kuptimi është: Ne nuk i dhamë pushtet atij (Iblisit) mbi ata (që e pasuan atë), veçse për të parë se kush prej tyre do të besojë në botën tjetër dhe kush do të dyshojë në të.

Ibën Kutejbe (në librin ‘Teuijl mushkilil Kuran) thotë: “Kur Iblisi i mallkuar i kërkoi Allahut afatizim dhe Ai ia dha atë, ai tha: “Unë do t’i tundoj ata, do t’i drejtoj në rrugën e humbjes dhe do t’i urdhëroj për kështu e kështu… dhe do të bëj për vete një pjesë të caktuar nga robët e Tu [En Nisa, 118-119]; në kohën që i tha këto fjalë, Iblisi nuk e dinte dhe nuk ishte i sigurt se kjo që hamendoi do të ndodhte vërtetë, por e tha nga hamendja. Por kur ata e ndoqën vërtet atë dhe iu bindën atij, bënë që hamendja e tij të vërtetohej, kështu që Allahu tha: “Pushteti që Ne i dhamë atij mbi ata që e ndoqën atë, ishte për të parë se kush ishte besimtar i vërtetë dhe kush ishte dyshues; d.m.th. për të dalë hapur dhe dukshëm për të gjithë, në mënyrë që të vërtetohet Fjala e Allahut dhe të bjerë ndëshkimi dhe shpërblimi.”

Pra, pushteti i djallit këtu është mbi ata që nuk besojnë në botën tjetër dhe që dyshojnë në të, dhe këta janë ata të cilët e morën djallin për mik dhe e adhuruan në vend të Allahut; dhe këtu pohohet pushteti që ka djalli dhe nuk mohohet, dhe kështu ky ajet nuk i kundërshton ajetet e tjera që flasin për këtë çështje.

Nëse dikush thotë: Çfarë thoni për ajetin 22, në suren Ibrahim, ku Iblisi u flet banorëve të Zjarrit: “Dhe kur çështja të ketë përfunduar, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju premtoi premtimin e vërtetë; dhe unë ju ‎premtova, por ju tradhtova. Por unë nuk kisha asnjë pushtet mbi ju, përveç që ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, ‎mos më qortoni mua, por qortoni veten tuaj! Unë nuk mund t’ju shpëtoj juve, as ju nuk mund të më shpëtoni mua. ‎Unë e mohoj që më shoqëruat me Allahun më parë.” Me të vërtetë, të padrejtët do të kenë dënim të ‎dhembshëm.‎” Megjithëse kjo është fjala e Iblisit, por Allahu ka treguar për këtë fjalë të tij, duke e pohur dhe duke mos e mohuar atë, që do të thotë se është vërtet kështu?

Atëherë i thuhet: Kjo është pyetje e mirë, dhe përgjigja për këtë është: Pushteti i mohuar në këtë ajet është pushteti i argumentit dhe provës; d.m.th. që djalli nuk kishte mbi njerëzit asnjë provë apo argument që t’ua vërtetonte atyre fjalën e tij; siç ka thënë Ibën Abasi: “Nuk kisha asnjë provë që të argumentoja kundër jush.” D.m.th: Nuk ju solla ndonjë provë apo argument, por vetëm ju thirra dhe ju m’u përgjigjët dhe e besuat fjalën time, duke më ndjekur pa asnjë provë apo argument.

Kurse pushteti që Allahu e pohon për djallin, në ajetin 100, të sures En Nahl: “Pushteti i tij (djallit) është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.” është pushteti i tundimit, joshjes dhe humbjes, dhe mashtrimi që u bën atyre, duke i shtyrë drejt mosbesimit dhe idhujtarisë dhe duke i ngacmuar e shtyrë që të mos e lënë këtë gjë; siç thotë Allahu në suren Merjem, ajeti 83: “A nuk e sheh se Ne i dërgojmë djajtë te mohuesit, për t’i cytur ata me cytje të vazhdueshme?‎” Cytjet e vazhdueshme të djallit janë ngacmimet, joshja, moslënia të qetë, ndezja.

Ky është lloj i pushtetit që ka djalli mbi miqtë e tij dhe idhujtarët, por ai nuk ka pushtet prove dhe argumenti për këtë gjë, por ata iu përgjigjën atij thjesht me thirrjen që ai u bëri, pasi që epshet dhe dëshirat e tyre vetjake u përputhën me thirrjen e tij. Pra, ata e ndihmuan armikun e tyre kundër vetvetes dhe i dhanë mundësinë atij që të kishte pushtet mbi ta duke e pranuar thirrjen e tij dhe duke e ndjekur atë; dhe kur ata iu dhanë atij me duar e tyre, dhe u bënë skllevër të tij, atëherë ai u bë i pushtetshëm mbi ta, si dënim për ta!

Kështu na bëhet e qartë Fjala e Allahut: “dhe Allahu kurrë nuk do t’u japë mohuesve pushtet mbi besimtarët.‎” [En Nisa, 141]; ajeti vazhdon të ketë gjykimin e përgjithshëm dhe kuptimin e drejtpërdrejtë, por janë besimtarët ata që kur bëjnë ndonjë mëkat apo kundërshtim të urdhrit të Allahut me të cilin kundërshtojnë besimin e tyre, atëherë mund të ndodh që mosbesimtarët të kenë ndonjë pushtet mbi ta, sipas llojit apo madhësisë së mëkatit që kanë bërë; pra janë besimtarët ata që i kanë lënë rrugë mosbesimtarëve për të pasur pushtet mbi ta në këtë rast, ashtu si ndodhi në luftën e Uhudit, kur besimtarët kundërshtuan urdhrin e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) duke lënë pizicionet e tyre.

Allahu nuk i ka dhënë djallit pushtet mbi njeriun, deri sa vetë njeriu t’i bëjë djallit rrugë për të marrë pushtet mbi të, duke iu bindur djallit dhe duke e adhuruar atë, atëherë Allahu e lë djallin të ketë pushtet mbi njeriun. Pra, kush sheh mirë, të falënderojë Allahun, e kush sheh diçka tjetër jo të mirë, të mos qortojë askënd tjetër përveç vetvetes. [Siç ka ardhur në një hadith kudsij të nxjerrë nga Muslimi me nr. 2577, nga Ebu Dherri (radiallahu anhu).

Pra, njësimi i Allahut (Teuhidi), mbështetja tek Allahu dhe sinqeriteti me Allahun, e pengojnë pushtetin e djallit mbi njeriun; kurse idhujtaria dhe degët e saj sjellin domosdoshmërisht pushtetin e djallit mbi njeriun; dhe padyshim se të gjithë janë nën gjykimin e Atij, në dorën e të Cilit janë të gjitha çështjet, tek i Cili kthehen të gjitha çështjet, i Cili zotëron provën dhe argumentin e pakundërshtueshëm, dhe i Cili nëse do të dëshironte, do t’i kishte bërë të gjithë njerëzit një popull të vetëm dhe të një feje të vetme, por Urtësia e Tij absolute, Lavdia dhe Pushteti i Tij e ka refuzuar këtë; “36. Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të qiejve dhe Zotit të Tokës – Zotit të gjithësisë. 37. Atij i përket e tërë madhështia në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” [El Xhathije, 36-37].

 


[1] Hadith i Saktë. E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi.

[2] Kur ti, o besimtar, dëshiron të lexosh diçka nga Kurani, kërkoi mbrojtje Allahut nga e keqja e shejtanit të mallkuar e të dëbuar nga mëshira e Allahut, duke thënë: “Eudhu bilahi minesh shejtanirr rraxhim!”

[3] Sigurisht që shejtani nuk ka asnjë pushtet apo fuqi mbi besimtarët që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që i mbështeten vetëm Allahut.

[4] Pushteti i shejtanit është vetëm mbi ata të cilët i binden atij dhe e kanë marrë atë për mbrojtës e aleat, dhe të cilët për shkak të tij i bëjnë shok Allahut në adhurim, duke adhuruar përkrah Allahut apo në vend të Tij idhujt dhe vetë shejtanin.

[5] Muslimi (796), kurse Buhariu e ka përmendur pa zinxhir transmetimi (mualak).

[6] Ahmedi në “Musned”, En Nesai, Taberani në “El Kebir” dhe Bejhakiu në “Shuab”; shejh Albani e ka renditur në Vargun e Haditheve të Sakta me numër 2979.

[7] Shejh Albani e ka konsideruar ‘Hasen’ – të mirë, në El Irva’, 2/51-52).