XHAMITË
Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani
Toka është e gjitha xhami
Allahu i Lartësuar i ka dhënë këtij Umeti një begati shumë të veçantë. Ajo është se e gjithë toka është bërë xhami për të. Kështu që, kur vjen koha e namazit, muslimani mund të falet kudo që të jetë. Ebu Dherri e pyeti Profetin (a.s.): “Cila është xhamia e parë në tokë?” Ai tha: “Mesxhid El Haram (xhamia në Mekë)”. Ebu Dherri pyeti për së dyti: “Po xhamia e dytë më e vjetër cila është?” Profeti (a.s.) tha: “Xhamia El Aksa” (në Kuds të Palestinës). Ebu Dherri pyeti sërish: “Sa kohë ka patur mes ndërtimit të të dyjave?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Dyzetë vjet”. Më pas ai tha: “Kudo që të jesh, në kohën e namazit, ti mund të falesh, pasi e gjithë ajo (toka) është xhami”.[1] Transmeton “Grupi”. Në një transmetim tjetër shënon: “E tëra është xhami”.
Vlera e ndërtimit të xhamive
Othmani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që ndërton një xhami për hir të Allahut, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut, Allahu do t’i ndërtojë atij një shtëpi në xhenet”.[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që ndërton një xhami për Allahun, madje edhe nëse është e vogël sa foleja[3] e një zogu, Allahu do t’i ndërtojë atij një shtëpi në xhenet”.[4] Transmetojnë Ahmedi, Ibën Hibani dhe Bezari me një zinxhir të saktë (sahih).
Duatë (lutjet) gjatë shkuarjes në xhami
Është sunet që gjatë shkuarjes në xhami të bëhen lutje. Më poshtë po përmendim shembuj të këtyre lutjeve:
Umu Seleme transmeton se, kur i Dërguari i Allahut dilte nga shtëpia, thoshte:
“Me emrin e Allahut, tek Ai mbështetem. Kërkoj ndihmë prej Teje, që të mos devijoj dhe të mos më devijojnë, që të mos gaboj dhe që të mos më bëjnë të gaboj, që të mos bëj padrejtësi dhe të mos më bëjnë padrejtësi ose të mos bëj keq dhe as të mos më bëjnë keq”.[5] Transmetojnë Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu i cili e quan sahih.
Enesi transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kushdo që thotë kur del nga shtëpia e tij: “Në emër të Allahut, i mbështetem Allahut, nuk ka fuqi dhe pushtet përveç Allahut”, atij do t’i thuhet: “Kjo është e mjaftueshme për ty, ti je i udhëzuar, nën kujdes, i mbrojtur dhe djalli do të qëndrojë larg teje”.[6] Transmetojnë Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu i cili e quan hasen.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) doli për të shkuar në xhami duke thënë: “O Allah! Bëje dritë zemrën time dhe ndriçoje shikimin tim! Ndriçoje të dëgjuarit tim, më ndriço mua nga pas dhe nga ana ime e djathtë. Ndriçoji nervat e mia, gjakun tim, flokun tim, lëkurën time, më ndriço mua!”.[7]
Ne versionin e Muslimit ne gjejmë flalët: “O Allah! Bëje dritë zemrën time dhe bëje dritë gjuhën time! Ndriçoje shikimin tim, dëgjimin tim! Bëj dritë pas meje dhe para meje! Bëj dritë sipër meje dhe poshtë meje! O Allah, më jep mua dritë!”[8]
Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse një njeri del nga shtëpia, shkon për namaz dhe thotë: “O Allah, unë të lutem Ty me të drejtën e lutësit ndaj Teje dhe me të drejtën e kësaj ecjeje, pasi unë nuk kam dalë jashtë në mënyrë arrogante dhe mosfalënderuese apo për t’u dukur apo për famë. Unë kam dalë nga frika ndaj zemërimit Tënd dhe duke kërkuar kënaqësinë Tënde. Unë të kërkoj Ty të më shpëtosh nga zjarri dhe të m’i falësh të gjtha gjynahet e mia, pasi askush nuk i fal gjynahet përveç Teje”, Allahu do t’i caktojë atij shtatëdhjetë mijë engjëj që të kërkojnë falje për të dhe Allahu e drejton fytyrën e Tij drejt tij derisa ai të mbarojë namazin”.[9] Transmeton Ahmedi, Ibën Huzejme dhe Ibën Maxhe. El Hafidhi thotë se ky hadith është hasen.
Duatë gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia
Është sunet për atë që dëshiron të hyjë në xhami, të hyjë me këmbën e tij të djathtë dhe të thotë: “Kërkoj mbrojtje nga Allahu i Lartësuar, në Fytyrën e Tij të ndershme dhe në pushtetin e Tij të përhershëm, (të më ruajë) prej shejtanit të mallkuar.”[10] “Në emër të Allahut! O Allah, lësho begati të shumta mbi Muhamedin! O Allah, m’i fal gjynahet e mia!”[11] “O Allah, hapi për mua dyert e Tua të mëshirës!”[12]
Kur ndonjëri dëshiron të dalë nga xhamia, ai duhet të dalë me këmbën e majtë dhe të thotë: “Me emrin e Allahut! O Allah, lësho begati të shumta mbi Muhamedin. O Allah, m’i fal të gjitha gjynahet e mia dhe hapi për mua dyert e Tua të bamirësisë![13] O Allah, më mbro nga shejtani i mallkuar!”[14]
Mirësia e shkuarjes në xhami për të falur namaz:
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush shkon në xhami (për të falur namaz) dhe kthehet prej saj, Allahu do të përgatisë për të një gosti në xhenet saherë që ai shkon dhe kthehet”.[15] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.
Gjithashtu, Ebu Seidi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ju shihni ndonjë që vjen shpesh në xhami, atëherë dëshmoni për besimin e tij. Allahu thotë:
إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللَّهِ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ
“Vizituesit e shtëpive të Allahut janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit”.[16] Kuran: Et-Teube 18. (Hadithi Transmetohet nga Ahmedi, Ibën Maxhe, Ibën Huzejme, Ibën Hibani dhe Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen, ndërsa Hakimi thotë se ai është sahih).
Muslimi transmeton nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush pastrohet në shtëpinë e tij dhe pastaj niset për në shtëpinë e Allahut për të plotësuar detyrimet që i ka vendosur Allahu, atëherë çdo hap i tij do të fshijë një gjynah dhe tjetri do të ngrejë gradat e tij”.[17]
Ebu Derdaja transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Xhamia është shtëpi për çdo njeri të devotshëm dhe atij të cilit xhaminë e ka shtëpi, Allahu i jep rehati, liri dhe një rrugë e cila të çon tek kënaqësia e Allahut, për në xhennet”.[18] Transmeton Tabaraniu dhe Bezari me një zinxhir sahih.
Ne kemi përmendur hadithin që fillon me këto fjalë: “A t’ ju tregoj juve (atë vepër) me të cilën Allahu i fshin mëkatet dhe i ngre gradat…?”
Namazi i hyrjes në xhami
Ebu Katade transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush vjen në xhami, ai duhet të falë dy rekate namaz para se të ulet”.[19] Transmeton “Grupi”.
Tri xhamitë më me vlerë
Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Namazi në xhaminë e shenjtë (në Mekë) është i vlefshëm sa njëqind mijë namaze në ndonjë vend tjetër. Namazi në xhaminë time (në Medine) është i barazvlefshëm me njëmijë namaze falur diku tjetër. Një namaz në Bejt El Makdes (në Kuds) është i barazvlefshëm me pesëqind namaze diku tjetër”.[20] Transmeton Bejhakiu dhe Sujuti, i cili thotë se hadithi është hasen.
Ahmedi transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Falja e namazit në xhaminë time është më e mirë se njëmijë namaze diku tjetër, përveç atyre namazeve që falen në xhaminë e shenjtë. Namazi në xhaminë e shenjtë është njëqind herë më i mirë sesa namazi në xhaminë time”.[21]
Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk merret (nuk lejohet të merret) ndonjë udhëtim me qëllim shpërblimi përveçse në tri xhami; në xhaminë e shenjtë (në Mekë), këtu në xhaminë time (në Medine) dhe në Mesxhid El Aksa (në Kuds)”.[22] Transmeton “Grupi”.
Zbukurimi i xhamive
Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ora (momenti i ditës së fundit) nuk do të vijë derisa njerëzit t’i krenohen[23] njëri-tjetrit për ndërtimin e xhamive”.[24]
Transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Ibën Hibani, i cili e quan sahih.
Fjalët e hadithit të transmetuar në librin e Ibën Huzejmes janë: “Do të vijë një kohë kur njerëzit do të krenohen për ndërtimin e xhamive, pastaj shumë pak njerëz do t’i frekuentojnë ato”.[25]
Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë nuk jam urdhëruar të ndërtoj xhami të mëdha dhe të larta”. Në versionin e Ebu Daudit shtohet fraza e Ibën Abasit, në të cilën ai ka thënë: “Ju pa dyshim që do t’i zbukuroni ato, ashtu siç bënë çifutët dhe kristianët (me vendet e tyre të adhurimit)”.[26] Hadithi i mësipërm është transmetuar nga Ebu Daudi dhe Ibën Hibani, i cili e quan sahih.
Umeri urdhëronte të ndërtoheshin xhami dhe thoshte: “Mbroni njerëzit nga shiu. Tregohuni të kujdesshëm ndaj zbukurimeve me ngjyrë të kuqe apo të verdhë, pasi ato i hutojnë njerëzit”.[27]
Transmeton Ibën Huzejme në sahihun e tij dhe Buhariu në formën mualak.
Mbajtja e xhamive të pastra dhe të aromatizuara
Aishja (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka urdhëruar që xhamitë të ndërtohen në zona të banuara dhe të mbahen të pastra dhe të parfumosura.[28] E transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Ibën Hibani me një zinxhir të mirë transmetimi, ndërsa Ebu Daudi e transmeton me tekstin: “Ai na urdhëronte ne të ndërtonim xhami në zona të banuara, t’i ndërtonim ato mirë dhe t’i pastronim. Abdullahu e parfumoste xhaminë me aromë kur ulej në mimber”.
Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mua mu vunë përpara shpërblimet për umetin tim, madje edhe shpërblimi për largimin e një grimce pluhuri nga xhamia”.[29] Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Huzejme, i cili e quan sahih.
Mirëmbajtja e xhamive
Xhamitë janë shtëpi adhurimi dhe është e detyrueshme që ato të mbahen të pastra dhe larg çdo papastërtie dhe erërave ndotëse. Muslimi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Këto xhami nuk janë vende urinimi apo papastërtish, por ato janë ndërtuar për të përkujtuar Allahun dhe për të lexuar Kuran”.[30]
Ahmedi transmeton me një zinxhir të saktë nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush fshin hundët, ai duhet ta mbulojë atë, përndryshe mund të ndyjë trupin apo rrobat e ndonjë besimtari dhe ta bezdisë atë”.[31]
Ahmedi dhe Buhariu transmetojnë nga Ebu Hurejra se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush është ngritur për t’u falur, ai nuk duhet të pështyjë përpara, pasi është para Allahut gjatë kohës që është në namaz. Po ashtu, ai nuk duhet të pështyjë në krah të djathtë pasi në të djathtë të tij është një engjëll. Kështu që ai duhet të pështyjë në të majtë apo poshtë këmbëve të tij dhe duhet ta mbulojë atë”.[32]
Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që ha hurdha, qepë apo presh, nuk duhet të vijë në xhaminë tonë pasi engjëjt i dëmton ajo që dëmton bijtë e Ademit”.[33] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Një ditë xhumaje Umeri (r.a.) iu drejtua njerëzve: “O njerëz, ju hani dy lloje bimësh të cilat unë i konsideroj të këqia (qepa dhe hudhra), pasi e kam parë Profetin (a.s.) që kur nuhaste erëra të tilla nga ndokush, e urdhëronte atë të shkonte në El Bakij. Kushdo që i ha ato, le t’i hajë ato si gjellë (duke e larguar erën e tyre)”.[34] Transmetojnë Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu.
Nuk pëlqehet që në xhami të lajmërohet për sende të humbura, të bëhet tregti apo të lexohen poezi jo të mira
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse shihni ndonjërin në xhami duke lajmëruar për ndonjë send që i ka humbur, i thoni atij: “Allahu mos ta ktheftë atë, pasi xhamitë nuk janë ndërtuar për këtë gjë”.[35] Transmeton Muslimi.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse shihni dikë duke blerë apo shitur diçka në xhami, i thoni: “Allahu mos të dhëntë fitim nga kjo tregti”.[36] Transmeton Nesaiu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e quan atë hasen.
Abdullah ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) e ndaloi shitblerjen në xhami, leximin e poezive, lajmërimin e sendeve të humbura dhe veçanërisht formimin e rrethit (d.m.th takimin në formë rrethi) para namazit të xhumasë.[37] Transmeton “të pestët” dhe Tirmidhiu e quan këtë hadith sahih.
Poezia e cila është e ndaluar është ajo që përqesh një musliman, vlerëson një keqbërës apo një epsh dhe kështu me radhë. Përsa i përket poezive që përmbajnë urtësi, lartësojnë Islamin dhe inkurajojnë për mëshirë, nuk ka asgjë të keqe për to.
Ebu Hurejra transmeton se Umeri (r.a.) kaloi para Hasanit, i cili po recitonte poezi në xhami. Umeri e vështroi atë në një mënyrë mosmiratuese. Hasani i tha: “Unë recitoja kur një njeri më i mirë se ti ishte i pranishëm”. Ai u drejtua nga Ebu Hurejra dhe tha: “Unë po të kërkoj ty për hir të Allahut të përmendësh se ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përgjigju për mua (Hasan). O Allah, ndihmoje atë me engjëllin Xhibril”. Ebu Hurejra tha: “Po, (e kam dëgjuar atë)”.[38] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Të lypurit në xhami
Dijetari i madh islam, Ibën Tejmije thotë: “Të lypurit është i ndaluar si brenda xhamisë ashtu edhe jashtë saj, përveç nëse një gjë e tillë nuk është vërtetë e nevojshme. Nëse është e nevojshme, ndokush mund të lypë në xhami për aq kohë sa ai nuk dëmton dikë tjetër dhe nuk i shqetëson të tjerët duke ecur mbi ta apo duke bërtitur. Për shembull, ndërkohë që njerëzit janë duke dëgjuar hytben e Xhumasë, ai i shpërqendron ata me zërin e tij.
Ngritja e zërit në xhami
Është e ndaluar të ngrihet zëri në xhami, për aq kohë sa ai i shqetëson ata që falen, madje qoftë edhe me leximin e Kuranit. Mësimi apo dhënia e dijes (të tjerëve) përjashtohen nga ky ndalim. Ibën Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut shkoi tek disa njerëz që po faleshin dhe po këndonin Kuran me zë të lartë dhe tha: “Ai që falet është në bisedë me Zotin e tij dhe kështu ai duhet të jetë i vetëdijshëm se me ç’ka po bisedon. Ju nuk duhet ta ngrini zërin tuaj kundrejt njëri-tjetrit (në leximin) e Kuranit”.[39] Transmeton Ahmedi me një zinxhir sahih.
Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ishte duke bërë itikaf në xhami dhe dëgjoi disa njerëz duke kënduar Kuran me zë të lartë. Ai largoi mbulesën dhe tha: “Me të vërtetë që secili prej jush është në bisedë me Zotin e tij kështu që nuk duhet ta shqetësoni njëri-tjetrin. Po ashtu, ju nuk duhet t’i ngrini zërat tuaj kundrejt njëri-tjetrit në këndimin e Kuranit”.[40] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e quan sahih sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit.
Biseda në xhami
Neveviu thotë: “Është e lejuar të marrësh pjesë në një bisedë të vlefshme në
xhami dhe dikush mund të diskutojë rreth çështjeve të kësaj bote, të diskutojë madje edhe të qeshë përsa kohë ai merret me gjëra të lejuara. Ky mendim është bazuar në hadithin e Xhabir ibën Semure, i cili ka thënë: “Profeti nuk ngrihej nga vendi ku falte namazin e sabahut derisa dielli të kishte lindur dhe atëherë ai çohej. Ata flisnin dhe qeshnin për ditët para se të bëheshin muslimanë në kohën e injorancës dhe ai buzëqeshte”.[41] Transmeton Muslimi.
Lejimi për të ngrënë, pirë apo fjetur në xhami
Ibën Umeri tregon: “Në kohën e Profetit (a.s.) ne flinim dhe merrnim nga një sy gjumë në xhami dhe në atë kohë ne ishim të rinj”.[42]
Neveviu thotë: “Është konfirmuar se banorët e Sufes, Urenitët, Aliu, Safran ibën Umeje dhe një numër tjetër sahabësh flinin në xhami. Po ashtu, Thumame flinte në xhami para se të bëhej musliman dhe e gjithë kjo ndodhte gjatë kohës së Dërguarit të Allahut”. Shafiu shkruan në “El Umm”: “Nëse një idhujtar fjetur në xhami, atëherë pa diskutim që edhe një musliman mund të flejë”. Në “El Muhtasar” ai ka thënë: “Nuk ka ndonjë të keqe që një politeist të qëndrojë në çdo xhami, përveçse në xhaminë e shenjtë (në Mekë)”. Abdullah ibën Harithi thotë: “Në kohën e Profetit (a.s.) ne hanim bukë dhe mish në xhami”.[43] Transmeton Ibën Maxhe me një zinxhir të vërtetë transmetimi.
Gërshetimi i gishtërinjve
Është e papëlqyeshme të gërshetohen gishtërinjtë e duarve gjatë shkuarjes në xhami ose gjatë pritjes për namaz kur jemi në xhami, megjithëse një gjë e tillë nuk është e urryer të veprohet në kohë të tjera, madje edhe në xhami.
Kabi transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur dikush merr abdes, e përsos atë dhe del me qëllimin për të shkuar në xhami, ai nuk duhet t’i gërshetojë gishtat pasi ai konsiderohet të jetë në namaz”.[44] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.
Ebu Seid El Hudri tregon: “Unë hyra në xhami me të Dërguarin e Allahut, ndërsa një burrë ishte ulur në mes të xhamisë me gishtat e ndërthurur. I Dërguari i Allahut i bëri atij me shenjë, por burri nuk e diktoi apo nuk e kuptoi atë. Profeti (a.s.) u kthye dhe tha: “Nëse ndonjëri prej jush është në xhami, ai nuk duhet t’i ndërthurë gishtat e tij pasi ndërthurja e gishtave është prej shejtanit dhe ju jeni në namaz për aq kohë sa jeni në xhami derisa ta lini atë”.[45] Transmeton Ahmedi.
Namazi mes shtyllave
Është e lejuar për imamin apo dikë tjetër që fal namazin vetëm, të falet mes dy
shtyllave. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibën Umeri se kur Profeti (a.s.) hyri në Qabe ai u fal mes dy shtyllave.[46]
Seid ibën Xhubejri, Ibrahim Et Tejemi dhe Sueid ibën Gufle i udhëhoqën njerëzit në namaz, ndërkohë që ishin mes dy shtyllash. Është e papëlqyeshme për pasuesit të falen mes shtyllave, nëse ata kanë hapësirë të mjaftueshme sepse një gjë e tillë i ndërpret safet. Megjithatë, ata mund të veprojnë kështu nëse janë të detyruar nga ngushtësia. Enesi thotë: “Neve na u ndalua të falnim namaz mes shtyllave dhe ne largoheshim nga prej tyre”.[47] Transmeton Hakimi i cili thotë se është sahih.
Muavije ibën Kura transmeton se babai i tij ka thënë: “Në kohën e Profetit (a.s.) ne na u ndalua të formonim rreshta mes shtyllave dhe i largonim edhe të tjerët prej kësaj”.[48] Transmeton Ibën Maxhe por një nga transmetuesit është mexhhul (nuk është i njohur).
Seid ibën Mensuri transmeton në Sunetin e tij se Ibën Mesudi, Ibën Abasi dhe Hudhejfe e ndaluan një gjë të tillë. Lidhur me këtë çështje, Ibën Seid En-Nasi thotë: “Nuk dihet të ketë ndryshim mendimi ndërmjet sahabëve”.
Vendet ku ndalohet falja e namazit
Ndalohet që namazi të falet në vendet e mëposhtme:
1- Në varreza[49]
Aishja (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i ka mallkuar çifutët dhe kristianët, sepse ata i kthyen varret e profetëve në xhami”.[50] Transmeton Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe Nesaiu.
Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Merthed El Ganeui se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos u falni përpara varreve dhe mos u ulni mbi to!”.[51] Gjithashtu, ata dy transmetojnë se Xhundub ibën Abdullah El Bexheli e kishte dëgjuar Profetin (a.s.), pesë ditë para se të vdiste, të thotë: “Njerëzit para jush i morën varret e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë për xhami. Kini kujdes e mos i merrni varret për xhami. Unë ua ndaloj juve këtë”.[52]
Aishja transmeton se Umu Seleme po i tregonte njëherë Profetit (a.s.) për një kishë që kishte parë në Habeshe (Abisini) dhe pikturat që kishte në të. Profeti i tha asaj: “Ata janë njerëz që, kur një rob i devotshëm apo një burrë i devotshëm prej tyre vdes, ndërtojnë një xhami (vend adhurimi) mbi varret e tyre dhe vendosin piktura mbi to. Njerëz të tillë janë krijesat më të këqija tek Allahu”.[53] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu.
Gjithashtu, transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i ka mallkuar ata që i vizitojnë varret dhe i marrin ato për xhami dhe ndezin mbi to drita”.[54]
Shumë dijetarë e marrin këtë ndalim të jetë prej gjërave të papëlqyeshme, pavarësisht nëse varri është para apo pas imamit. Sipas shkollës dhahirite, ky ndalim është një ndër gjërat krejtësisht të ndaluara dhe për këtë namazi i falur në anë të varrit është i pavlefshëm.[55] Sipas shkollës hanbelite ky ligj zbatohet vetëm nëse janë tri apo më shumë varre. Nëse ka një apo dy varre, atëherë namazi është i vlefshëm, megjithëse është e papëlqyeshme të falesh para varrit, në të kundërt një gjë e tillë nuk është e papëlqyeshme.
2- Në kisha dhe sinagoga
Ebu Musa El Ashari dhe Umer ibën Abdulaziz u falën në kishë. Esh-Shabi, Atau dhe Ibën Sirini nuk shihnin ndonjë gjë të keqe që dikush të falej në kishë (nëse ndodhte që ndokush ishte në kishë në kohën e namazit). Buhariu thotë: “Ibën Abasi falej në sinagogë (në rrethana të caktuara), përjashtuar ato me statuja dhe skulptura”.
Muslimanët e Nexhranit i shkruan Umerit (r.a.) se ata nuk gjetën vend më të pastër dhe më të mirë për t’u falur përveçse në një sinagogë. Umeri u shkroi atyre: “Spërkateni atë me ujë dhe gjethe me aromë dhe faluni në të!”. Sipas shkollës hanefite dhe shafite, në përgjithësi është e papëlqyeshme të falesh në vende të tilla.
3- Në vendet e plehërave, thertore, në mes të rrugës, në vendet e pushimit të deveve, në banjo dhe mbi Qabe
Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) e ndaloi namazin në shtatë vende: “Në vendet ku ka plehëra, në kasaphanë, në varreza, në mes të rrugës, në banjo, në vendet ku devetë pinë ujë e pushojnë dhe sipër shtëpisë së Allahut (mbi Qabe në Mekë)”.[56] Transmeton Ibën Maxhe, Abdu ibën Humejdi dhe Tirmidhiu, i cili përmend se zinxhiri i transmetimit të hadithit nuk është shumë i fortë.
Arsyeja përse namazi është i ndaluar në vendet ku ka plehëra dhe në kasaphanë është prania e papastërtive në ato abmiente. Është e ndaluar të falesh në këto vende pa vendosjen e ndonjë pengese në mes. Edhe nëse ekziston ndonjë pengesë e tillë dikush mund të falet, por shumica e dijetarëve pohojnë se një gjë e tillë është e papëlqyeshme. Ndërsa Ahmedi dhe dijetarët e shkollës dhahirite mendojnë se një gjë e tillë është e ndaluar. Arsyeja se përse është e ndaluar të falesh në vendet e pushimit të deveve është se ato janë krijuar perej xhindëve e mund të ketë dhe arsye të tjera. Falja e namazit në ato vende është e ngjashme me të parat.
Arsyeja se përse është ndaluar që namazi të falet në mes të rrugës është se ato zakonisht janë plot lëvizje, gjë e cila do ta largonte zemrën e besimtarit nga namazi. Ndërsa përsa i përket faljes mbi çatinë e Qabes kjo kundërshton rregullin që namazi duhet të falet në drejtim të saj. Për këtë arsye, shumica e dijetarëve janë të mendimit se namazi i falur sipër Qabes është i pavlefshëm. Hanefitë thonë se kjo është e lejuar, por e urryer, ngase në këtë mënyrë do të lihej anash madhërimi i Qabes. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve edhe arsyeja e ndalimit të faljes në banjave është prania e papastërtive në to. Ahmedi, Ebu Thauri dhe dhahiritët mbështesin mendimin se namazi i falur në banjë është i pavlefshëm. Shumica e dijetarëve thonë se, edhe nëse nuk ka papastërti, falja e namazit në banjë është e papëlqyer.
4- Namazi brenda në Qabe
Namazi i falur brenda në Qabe është i vlefshëm, pavarësisht nëse është namaz farz apo sunet.
Ibn Umeri transmeton: “I Dërguari i Allahut hyri në Qabe dhe bashkë me të Usama ibën Zejd, Bilali dhe Othman ibën Talha. Pasi hynë e mbyllën derën. Kur ata e hapën derën unë isha i pari që hyra dhe e pyeta Bilalin: “A u fal i Dërguari i Allahut (gjatë kohës që ishte brenda)?” Ai tha: “Po, pas dy shtyllave të Jemenit”.[57] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.
[1] Buhariu 3366,3425, Muslimi 1161, Nesai 689, Ibën Maxheh 753, Ahmedi 5/156.
[2] Buhariu 450, Muslimi 1189,7395.
[3] Sa vendi që zënë vezët e zogut në fole
[4] Hadith Munker me këtë shtesë. “Tamamul Mineh” 289. E ka nxjerrë Ahmedi 1/241.
[5] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2442. E ka nxjerrë Ahmedi 6/306,318, Ebu Daudi 5094, Nesai 5539, Tirmidhiu 3427, Ibën Maxheh 3884.
[6] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2443, “Et Targib” 1605. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5095, Tirmidhiu 3426.
[7] Buhariu 6316, Muslimi 1796.
[8] Muslimi 1796.
[9] Hadith Daif. “Ed Daife” 24, “Et Targib” 200, “Tamamul Mineh” 289. E ka nxjerrë Ahmedi 3/21, Ibën Maxheh 778, Begaviu 9/93, Ibën Sini 83.
[10] Hadith Sahih. “El Mishkat” 749, “Et Targib” 1606. E ka nxjerrë Ebu Daudi 466.
[11] Hadith Munker – i panjohur, i refuzuar. “Tamamul Mineh” 290.
[12] Muslimi 1649.
[13] Hadith Munker. “Tamamul Mineh” 290.
[14] Hadith Sahih. “Eth Themerul Mustetab” 1/608, “Daiful Xhami” 514. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 773, El Hakim 1/207, Bejhakiu 2/442.
[15] Buhariu 662, Muslimi 1522, Ahmedi 2/509.
[16] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 291, “El Mishkat” 723, “Daiful Xhami” 509. E ka nxjerrë Ahmedi 3/68, Tirmidhiu 3093, Ibën Maxheh 802, Ibën Huzejme 2/379, Bejhakiu 3/66.
[17] Muslimi 1519.
[18] Hadith Sahih pa shprehjen “Xhamia është shtëpi për çdo njeri të devotshëm”. “Tamamul Mineh” 292, “Es Sahiha” 716, “Sahihu et Targib” 326.
[19] Buhariu 444, 1163, Muslimi 1651, 1652, Ebu Daudi 467, Nesai 730, Tirmidhiu 316, Ibën Maxheh 1013, Darimi 1/264.
[20] Hadith Daif. “El Irva” 4/343. E ka nxjerrë Bejhakiu në “Degët e Imanit”, siç e thotë Sujuti në “El Xhami el Kebir” 2/61.
[21] Ahmedi 3/343,397. Ndërsa pjesën e parë të tij e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.
[22] Buhariu 1189, Muslimi 3370, Ebu Daudi 2033, Nesai 699, Ibën Maxheh 1409, Ahmedi 2/278.
[23] Mburren.
[24] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 294, “Sahih Ebi Daud” 475, “El Mishkat” 719. E ka nxjerrë Ebu Daudi 449, Nesai 689, Ibën Maxheh 739, Ahmedi 3/134,145,152.
[25] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 294.
[26] Hadith Sahih. “El Mishkat” 718, “Sahihul Xhami” 5550. E ka nxjerrë Ebu Daudi 448.
[27] E ka përmendur Buhariu pa sened (mualak), në kapitullin e namazit.
[28] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2724, “Sahihu et Targib” 279, “El Mishkat” 717. E ka nxjerrë Ebu Daudi 455, Tirmidhiu 594, Ibën Maxheh 759, Bejhakiu 2/440.
[29] Hadith Daif. “El Mishkat” 720, “Et Targib” 184. E ka nxjerrë Ebu Daudi 461, Tirmidhiu 2917, Ibën Huzejme 1297, Bejhakiu 2/440.
[30] Muslimi 659, Ahmedi 3/191.
[31] Hadith Hasen. “Es Sahih” 1265. Ahmedi 1/179, Ibën Ebi Shejbe 2/80, Ibën Huzejme 1/141, Ebu Jeala 230.
[32] Buhariu 416, Ahmedi 1/180.
[33] Buhariu 854, Muslimi 1254, Tirmidhiu 1806, Nesai 706. Konsumimi i këtyre ushqimeve e obligon besimtarin në mënyrë të qartë, të qëndrojë larg xhamisë dhe grumbullimeve të besimtarëve derisa të largohet prej tij era e rëndë e këtyre ushqimeve. Këtij gjykimi i bashkangjiten edhe erëra të tjera jo të këndshme si era e rëndë e duhanit, gogësimat ose era e keqe e gojës.
[34] Muslimi 1258, Nesai 707, Ibën Maxheh 1014, 2726.
[35] Muslimi 1260, Ebu Daudi 21, Ibën Maxheh 767.
[36] Hadith Sahih. “El Irva” 1495, “El Mishkat” 733. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1321, El Hakim 2/56, Bejhakiu 2/447, Darimi 1/326, Ibën Huzejme 1/141, Ibën Hibani 312, Ibën Xharud 562, Ibën Sini 151.
[37] Hadith Hasen. “Sahihul Xhami” 6885. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1079, Nesai 714,715, Tirmidhiu 322, Ibën Maxheh 749.
[38] Buhariu 453,3212,6152, Muslimi 6334, Ebu Daudi 5013,5014, Nesai 715.
[39] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1603. E ka nxjerrë Maliku 163, Ahmedi 2/67, Taberani në “El Eusat” 4757.
[40] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 2639, “Es Sahiha” 4/128. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1332, Ahmedi 3/94, El Hakim 1/311, Bejhakiu 3/11.
[41] Muslimi 1523,5989, Ebu Daudi 1294, Nesai 1357.
[42] Hadith Sahih. “Eth Themerul Mustetab” 1/814. (Ky ishte gjumi i pasdrekës.)
[43] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 295, “Es Sahiha” nën hadithin nr. 2116. E ka nxjerrë Ibën Hibani 223, Ebu Daudi 187, Ibën Maxheh 3300.
[44] Hadith Sahih. “El Mishkat” 994. E ka nxjerrë Ahmedi 4/241, Ebu Daudi 562, Tirmidhiu 386, Ibën Maxheh 967.
[45] Hadith Daif. “Ed Daife” 2628. E ka nxjerrë Ahmedi 3/43.
[46] Buhariu 397, 3217,3218, Ebu Daudi 2023, Nesai 691, 2905,2906, Ibën Maxheh 3063.
[47] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 335. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1002, Ibën Hibani 400, El Hakim 1/218, Bejhakiu 3/104, Tajalisi 1073.
[48] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 296. Shih nxjerrjen e hadithit të mësipërm.
[49] Ndalimi i shndërrimit të varreve në xhami (vendfaljeje) për shkak të kapërcimit të kufijve në vlerësimin që i bëhet të vdekurit duke u ndikuar negativisht. Kjo dispozitë konsiderohet si parandalim i së keqes.
[50] Buhariu 1330, 1390, 4441, Muslimi 1184, Ebu Daudi 3227, Nesai 2047.
[51] Muslimi 2247,2248, Ebu Daudi 3229, Tirmidhiu 1050, 1051, Nesai 759, Ahmedi 4/135.
[52] Muslimi 1188.
[53] Buhariu 427, 3873, Muslimi 1181, Nesai 703.
[54] Hadith Daif me këtë shprehje. “Ed Daife” 225, “Tamamul Mineh” 297. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3236, Tirmidhiu 320, Nesai 2043, Ahmedi 1/229, El Hakim 1/374, Bejhakiu 4/78, Tajalisi 1/171.
[55] Duket qartë se ky është mendimi më i saktë në dritën e shumë haditheve autentike.
[56] Hadith Daif. “El Irva” 287. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 746, Tirmidhiu 317, El Hakim 1/251. Por kanë ardhur hadithe që argumentojnë për disa vende ku nuk lejohet namazi, si hadithi “E gjithë toka është xhami, përveç varrezave dhe banjos.”; “Tamamul Mineh” 299.
[57] Buhariu 1598, Muslimi 3222, Ahmedi 2/120.