NAMAZI I TERAVIVE

 


Autor: Muhamed Nasirudin el Albani

Përktheu: Dr. Bledar Albani


بسم الله الرحمن الرحيم

Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka bërë provë për dashurinë e Tij pasimin e shembullit të të Dërguarit të Tij.

I Madhërishmi thotë: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që t’ju dojë Allahu dhe t’ju falë gjynahet tuaja!”

Lavdërimi dhe Paqja e Allahut qofshin mbi zotëriun dhe shembullin tonë, Muhamedin, thënësin e fjalës: “Faluni ashtu si më shihni mua të falem!”, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët e deshën dhe e pasuan atë, pastaj përcollën tek ne dhe e ruajtën hadithin e tij. Si dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin udhëzimin dhe rrugën e tyre deri në Ditën e Kijametit!

Kjo është broshura e dytë nga gjashtë broshurat prej të cilave përbëhet libri ynë “Tesdid el isabe ila men zeame nusrate hulefai er rashidine ues sahabe” –(Goditja në shenjë atë që pretendon përkrahjen e prijësave të drejtë dhe sahabeve).

Subjekti i broshurës së parë ishte sqarim për shpifjet dhe gabimet e atyre autorëve të cilët janë përpjekur të na kthejnë kundërpërgjigje në librin e tyre “Shënjestra në përkrahjen e prijësave të drejtë dhe sahabeve”, por ata nuk qëlluan në shenjë dhe nuk ia dolën mbanë, siç e kam sqaruar edhe në broshurën e sipërpërmendur, e cila me t’u botuar e t’u shpërndarë, u tërhoq dhe u pranua nga njerëzit më fisnikë dhe me idera nga më të ndryshmet dhe kjo sepse ata gjetën në të –megjithëse e shkurtër- kërkime të dobishme të mbështetura me argumente e prova bindëse, paanësi në kundërpërgjigje, në drejtësi në kritikë dhe moskthim të sulmit me sulm të njëjtë si ai.

Lus Allahun e Lartëmadhëruar ta pranojë atë prej nesh dhe të na e ruajë shpërblimin e saj deri në Ditën e Rikthimit te Ai; “Atë ditë ku nuk bën dobi pasuria dhe as fëmija, përveç atij që shkon tek Allahu me zemër të pastër.”

Kësaj radhe po i sjellim lexuesit të nderuar broshurën e dytë, e cila është e para prej pesë broshurave për të cilat dhamë fjalën në broshurën e parë të përmendur më sipër.

 

Këto pesë broshura janë:

  1. “Namazi i teravive.”
  2. “Falja e namazit të bajrameve në namazgja, ky është suneti”
  3. “Bidati”
  4. “Paralajmërimi i atij i cili vë kokën në sexhde, nga marrja e varreve për xhamia”
  5. “Ndërmjetësimi. Llojet dhe rregullat e tij”

 

Ndërsa subjekti i broshurës që keni në duar është shqyrtimi i namazit të teravive përgjithësisht dhe verifikimi i numrit të rekateve të tij veçanërisht. Kjo për arsye se ata autorë kanë pretenduar në broshurën e tyre (f. 6) se: “Falja e njëzetë rekateve është e qëndrueshme nga vepra e vazhdueshme e hulefave të drejtë, përveç të sinqertit (Ebu Bekrit)”. Ashtu si dhe ia kanë mveshur këtë risi Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por me sa duket ata kanë për qëllim bashkimin në faljen e teravive, sepse kanë përmendur në libër fjalën e El Iz ibën Abduselam, ku në mesin e shembujve të bidateve të pëlqyeshme, ai ka përmendur edhe “namazin e teravive”.[1]

Ndërkohë që Ibën Abduselami (Allahu e mëshiroftë!) mund të ketë pasur për qëllim me fjalën e tij “namazi i teravive”, d.m.th. faljen e tyre me xhemat, si dhe faljen e tyre me njëzetë rekate bashkë, por ata shkrimtarë kanë thënë një shprehje nga e cila mund të kuptohet se ata thonë që të shtuarit në numrin e teravive nuk është bidat. Kështu që mbetet të thuhet se qëllimi i tyre me “shpikjen”, të cilën ia kanë mveshur prijësit të Besimtarëve, Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ajo në fakt është bashkimi i njerëzve nga ai për të falur në kolektiv namazin e teravive!

Qoftë ky qëllimi i tyre me “shpikjen”, apo ajo që është më e gjerë se kjo, kur ne besojmë se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ka shpikur gjë të re në këtë namaz, as xhematin dhe as njëzetë rekatet, por ai në atë vepër ka qënë shembulli i besimtarit më të mirë që pason sunetin e të Dërguarit të tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ashtu siç duhet, si dhe kur besojmë gjithashtu se të falurit e teravive me njëzetë rekate nuk qëndron nga asnjë prej katër prijësave të drejtë dhe prej këtu, duhet patjetër që ne t’ia sqarojmë këtë realitet njerëzve, ashtu që të mos mashtrohet ndokush me atë që i mveshin prijësit të besimtarëve prej “shpikjes”, edhe nëse ata e shohin atë si të mirë. Kjo sepse e vërteta e pranuar plotësisht tek dijetarët është se “pasimi është më i mirë se shpikja”, edhe nëse do të supozonim se ka edhe shpikje të mirë (në Fe).

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Mesatarja në pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më e mirë se përpjekja (orvatja) në bidat.”

Prej gjërave të habitshme të këtyre autorëve, si dhe prej padrejtësisë e prishjes së tyre është se ata, megjithëse janë vetë ata që e akuzojnë prijësin e besimtarëve me “shpikje”, pikërisht ata thonë se ne (shejh Albani) jemi ata të cilët e kemi quajtur atë (Umerin) bidatçi!

Për këtë gjë ata kanë përdorur disa shprehje, njërën prej të cilave e kemi përmendur në këtë broshurë, në pikën e parë të saj, bashkë me përgjigjen që i takon, kështu që nuk po i përsërisim fjalët këtu.

Ata nuk janë mjaftuar me këtë akuzë të pabazë e të kotë, por shtuan mbi të diçka që e lehtëson njohjen e lajthitjes së tyre. Ata thanë se ne e kemi mallkuar Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), Allahu na ruajtë nga kjo dhe nga ajo që është më  e vogël se kjo! Madje shtuan edhe më tepër, duke thënë se ne i kemi mallkuar të gjithë selefët.

Në faqen (10) të librit të tyre, ata thonë: “O ti që i ke quajtur selefët të humbur!”. Gjithashtu në faqen (8) thonë: “Ata (shejhu) kanë mallkuar të parët e këtij populli dhe të fundit e tij”. – Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Na mjafton Allahu dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë!

Betohem në Allahun! Nuk kam parë më të gatshëm se këta për të akuzuar të pafajshmit. Allahu i rregulloftë dhe i drejtoftë në Rrugën e Drejtë!

 

 

Pas kësaj fjale hyrëse, bëjmë me dije lexuesin se kjo broshurë përbëhet nga tetë pika kryesore:

  1. Preferenca e të falurit e namazit të teravive me xhemat (në kolektiv).
  2. I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate në namazin e teravive.
  3. Të mjaftuarit e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me njëmbëdhjetë rekate është argument për moslejimin e të shtuarit mbi to.
  4. Ringjallja e sunetit nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në faljen e teravive me xhemat dhe urdhëri i tij që ato të falen me njëmbëdhjetë rekate.
  5. Nuk është e vërtetë se ndonjë prej sahabeve i ka falur teravitë me njëzetë rekate. Verifikimi i gjurmëve të përcjella nga ata dhe sqarimi i dobësisë së tyre.
  6. Domosdoshmëria e të kapurit për njëmbëdhjetë rekate (në namazin e teravive) dhe argumenti për këtë.
  7. Format me të cilat i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e natës dhe atë të vitrit.
  8. Nxitja për faljen sa më mirë të namazit dhe kërcënimi për të kundërtën.

Në brendësi të këtyre pikave gjenden edhe nëntema të tjera dhe dobi nga fikhu e hadithi, të cilat lexuesi do t’i gjejë në libër.

Lus Allahun e Lartësuar të më japë sukses në të qëlluarit e të vërtetës, në atë që kam shkruar në këtë broshurë e në të tjera dhe që ajo të jetë e sinqertë për Hir të Tij, si dhe t’i bëjë dobi me të vëllezërve të mi besimtarë! Ai është Mirëbërësi, Mëshirëploti.

 

Damask/ 4/9/1377 h.

Muhamed Nasirudin el Albani


 

  1. Preferenca e të falurit e namazit të teravive me xhemat (në kolektiv)

 

Askush që ka njohuri për sunetin sot, nuk dyshon në ligjshmërinë e faljes së namazit të natës në muajin e Ramazanit me xhemat, atë namaz i cili njihet me emrin  “namazi i teravive”, dhe kjo për tre arsye:

  1. Aprovimi i faljes së tyre me xhemat nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
  2. Vetë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka vepruar diçka të tillë.
  3. Sqarimi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për vlerën e faljes së tyre (me xhemat).
  4. a) Aprovimi i tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është bërë në hadithin e transmetuar nga Thealebe ibën Ebu Malik el Kuradhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: Në një natë të Ramazanit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli (nga shtëpia) dhe pa disa njerëz duke u falur në një qoshe të xhamisë. Atëherë tha: “Çfarë po bëjnë këta (çfarë namazi falin)?” Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut! Ata nuk dinë përmendësh shumë nga Kurani, kështu që falen pas Ubej ibën Keabit, me namazin e tij. -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Mirë kanë vepruar!” apo: “Ia kanë qëlluar!” Duke mos e urryer veprën e tyre.”

Ky hadith është Hasen. Atë e ka nxjerë Bejhakiu (2/495) dhe ka thënë: Ky hadith është mursel (i ndërprerë; nuk është përmendur sahabiu), hasen-i mirë.

Them (shejh Albani): Ky hadith është përcjellë i lidhur, por me rrugë tjetër, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) me sened (zinxhir transmetuesish) jo të keq, në ndjekësit dhe dëshmuesit për të prej haditheve të tjera. Atë e ka nxjerë Ibën Nasr në librin “Namazi i natës” (20), Ebu Daudi (1/217) dhe Bejhakiu.

  1. b) Ndërsa për praktikimin e kësaj vepre nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kanë ardhur disa hadithe, prej të cilave po përmendim:

Hadithi i parë (Sahih): Transmetohet nga En Neuman ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “U falëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në natën e njëzetë e tre të muajit të Ramazanit, deri në një të tretën e parë të natës. Pastaj u falëm me të në natën e njëzetë e pestë, deri në mesin e natës. Pastaj, në natën e njëzetë e shtatë, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me ne derisa menduam se nuk do ta arrinim syfyrin.”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/90/2), Ibën Nasr (89), En Nesai (1/238), Ahmedi (4/272) dhe El Ferjabi.

Senedi i këtij hadithi është “Sahih” dhe të tillë e ka konsideruar edhe El Hakim (1/440) dhe thotë: “Në këtë hadith ka argument të qartë se falja e namazit të teravive në xhamitë e muslimanëve është sunet i bërë rrugë. Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e shtynte Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ta vinte në jetë këtë sunet, derisa ai e bëri këtë gjë.”

Hadithi i dytë (Sahih): Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte duke u falur në muajin e Ramazanit, unë shkova dhe qëndrova në krah të tij. Pastaj erdhi një burrë tjetër dhe pastaj një tjetër, derisa u bëmë një grup (më pak se dhjetë vetë). Kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndjeu që unë isha pas tij, ai e lehtësoi namazin (e shkurtoi leximin në të), pastaj hyri në shtëpinë e tij. Kur hyri në shtëpi, ai fali një namaz të cilin nuk e kishte falur me ne (të gjatë). Kur shkuam në namazin e sabahut, ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, a na vure re mbrëmë? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Po, dhe kjo gjë më shtyu të veproja ashtu si veprova.”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi dhe Ibën Nasr, me dy senede të sakta, si dhe Et Taberani në “El Eusat”; të ngjashëm me të. Hadithi gjendet gjithashtu në Sahihun e Muslimit (nr. 1104).

Hadithi i tretë (Sahih): Trasmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Njerëzit faleshin në netët e Ramazanit (teravitë), në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ndarë në grupe. Dikush që dinte diç nga Kurani (përmendësh) printe në namaz një grup prej pesë-gjashtë vetësh, apo më shumë a më pak. Një natë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më urdhëroi që ti shtroja atij një hasër (rrogoz) para derës së dhomës sime dhe unë e vendosa atë. Pasiqë fali namazin e fundit të darkës, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli dhe shkoi tek ai hasri.

-Thotë: Atëherë u mblodhën pas tij të gjithë ata që ishin në xhami dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta një pjesë të gjatë të natës (teravitë), pastaj i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit dhe hyri në shtëpi, ndërsa hasrin e la në vendin e tij. Të nesërmen në sabah njerëzit po flisnin me njëri-tjetrin për namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ata që gjendeshin në xhami atë natë. Atëherë u mblodhën më shumë njerëz (në natën tjetër) dhe xhamia u ngrys me gumëzhima nga zërat e njerëzve. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli natën e dytë dhe njerëzit u falën pas tij. Të nesërmen njerëzit e përhapën përsëri këtë gjë dhe numri i atyre që erdhën në xhami në natën e tretë u rrit shumë, saqë ajo u mbush plot. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! doli dhe u fal me ta (teravitë).

Natën e katërt, xhamia nuk i nxinte ata që kishin ardhur dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta namazin e jacisë, pastaj hyri në shtëpi, ndërsa njerëzit qëndruan në xhami.

-Thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha mua: O Aishe! Çfarë kanë njerëzit? Unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Ata dëgjuan për namazin tënd të mbrëmshëm nga ata që ishin në xhami dhe erdhën për t’u falur me ty.

-Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Palose hasrin tënd, o Aishe!

-Thotë: Unë e palosa atë dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjeti me vetëdije (qëllimisht dhe jo nga harresa), ndërsa njerëzit qëndruan në xhami, derisa disa burra prej tyre filluan të thonë: “Namazi! Namazi!”

-I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli për namazin e sabahut dhe pas faljes së tij, ai u drejtua nga njerëzit, përmendi teshehudin (duanë e hapjes së fjalimit) dhe tha: O njerëz! Për Allahun! Unë nuk fjeta këtë natë nga pavëmendja –uel-hamdu lilah- dhe as duke mos e ditur që ju ishit këtu, por unë kisha frikë se iu bëhej obligim (farz) [në një transmetim tjetër thuhet: kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm namazi i natës dhe ju nuk do të mundeshit ta kryenit atë], kështu që veproni ato punë që keni mundësi ti bëni, sepse Allahu nuk mërzitet  derisa të mërziteni.”

Në një transmetim tjetër shtohet se Zuhriu tha: Më pas i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe njerëzit vazhduan ta vepronin këtë gjë si në jetën e tij (namazin e teravive me xhemat). Kështu vazhdoi kjo gjë edhe në kohën e hilafetit të Ebu Bekrit dhe në fillim të hilafetit të Umerit.[2]

Them: Këto hadithe argumentojnë dukshëm për ligjshmërinë e të falurit e namazit të teravive me xhemat, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi ti falte ato në ato netë me njerëzit dhe lënia e tij faljen e tyre në natën e katërt nuk e kundërshton këtë gjë, sepse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e sqaroi atë me fjalën e tij: “Kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm” dhe padyshim se kjo frikë mbaroi me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që Allahu e plotësoi Sheriatin e Tij.

Kështu që me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hiqet gjithashtu ajo që shkaktonte frikën, d.m.th: lënia e të falurit e teravive me xhemat dhe kthehet gjykimi i mëparshëm, d.m.th. ligjshmëria e të falurit e tyre me xhemat.

Për këtë shkak, Umer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ringjalli këtë vepër, siç e thamë më parë dhe do të vijë edhe më pas, dhe sipas të cilës është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Hadithi i katërt (Sahih): Transmetohet nga Hudhejfe ibën El Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit të falej në një natë të Ramazanit, në një dhomë (kasolle) prej lëkure hurmash (palmash), hodhi në të një kovë ujë, pastaj tha: “Allahu ekber, Allahu ekber”, tre herë, pastaj tha: “Dhel melekuti uel xheberuti uel kibrijai uel adhame”-(që do të thotë: I Gjithëpushtetshmi, i Plotfuqishmi, Kryelarti dhe Madhështori). Pastaj lexoi suren Bekare.

-Thotë: Pastaj u përkul në gjunjë (ruku) dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë, duke thënë: “Subhane rabijel adhim, subhane rabijel adhim” -që do të thotë: Larg të metave është Zoti im, Madhështori. Pastaj ngriti kokën nga rukuja dhe qëndroi në këmbë aq sa qëndroi në ruku dhe thoshte: “Lirabijel hamdu” -që do të thotë: Zotit tim i takon lavdërimi e falenderimi. Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë, duke thënë: “Subahne rabijel eala” –që do të thotë: Larg të metave është Zoti im, më i Larti. Pastaj ngriti kokën nga sexhdja dhe qëndroi ulur. Në mes dy sexhdeve ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Rabi gfirli, rabi gfirli” –”O Zot, më fal mua!”. Qëndroi ulur aq sa qëndroi në sexhde, pastaj ra në sexhden e dytë dhe tha: “Subahne rabijel eala” dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë. Në këtë formë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali katër rekate në të cilat lexoi suren Bekare, Al Imran, En Nisa, El Maide dhe El Enam. Derisa erdhi Bilali, atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha lejë atij që të thërriste ezanin (e sabahut).”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebi Shejbe, Ibën Nasr, En Nesai, Ahmedi, Muslimi e të tjerë, me disa ndryshime në disa shprehje. E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim i cili e ka konsideruar të saktë dhe për këtë e ka mbështetur edhe Dhehebiu. Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

  1. c) Ndërsa argumenti për sqarimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vlerën e faljes së tyre (me xhemat) është hadithi (Sahih) i transmetuar nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Agjëruam (Ramazanin) dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk u fal natën me ne (teravitë), derisa mbetën edhe shtatë netë nga muaji. Atë natë u fal me ne derisa kaloi një e treta e natës. Natën e gjashtë para mbarimit të muajit, ai nuk u fal me ne (teravitë), por u fal me ne natën e pestë para mbarimit të muajit dhe u falëm derisa kaloi gjysma e natës. -Ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, përse nuk fal namaz vullnetar me ne edhe pjesën e mbetur të kësaj nate?

-Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush e fal namazin e natës (teravitë) me imamin derisa ai të mbarojë së faluri, atij i shkruhet sikur është falur gjithë natën.” -Pastaj nuk u fal me ne, veçse natën e tretë para mbarimit të muajit, në të cilën thirri edhe familjen e gratë e tij dhe u fal me ne derisa u frikësuam kohës së syfyrit.”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebi Shejbe, Ebu Daudi, Tirmidhiu i cili e ka konsideruar të saktë, En Nesai, Ibën Maxheh, Tahaviu në “Sherh meani el ethar”, El Ferjabi dhe Bejhakiu. Zinxhiri i transmetuesëve të tyre është i saktë.

Pika dëshmuese në hadith është fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush e fal namazin e natës (teravitë) me imamin”. Kjo fjalë tregon qartë vlerën e namazit të teravive me imamin.

Këtë e mbështet gjithashtu ajo që ka transmetuar Ebu Daudi në librin “El mesail” (f. 62), ka thënë: “Dëgjova kur dikush i tha Ahmedit: Cilën preferon më shumë, që burri të falet me njerëzit në muajin e Ramazanit (teravitë), apo të falet vetëm? -Të falet me njerëzit, -tha ai.

E kam dëgjuar gjithashtu të thotë: Më e preferuar për mua është që të falesh me imamin dhe ta falësh vitrin gjithashtu me të, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse burri falet me imamin (namazin e teravive) derisa ai të përfundojë, Allahu i shkruan  edhe faljen e pjesës së mbetur të natës.”

Të ngjashëm me këtë ka përmendur edhe Ibën Nasr (f. 91) nga Ahmedi.

Pastaj Ebu Daudi tha: Dikush i tha Ahmedit, ndërsa unë dëgjoja: “A mund ta vonojmë namazin e natës –d.m.th. teravitë- deri në fund të natës?” –“Jo”, – tha ai. Rruga e muslimanëve është më e dashur për mua.”[3]

 


 

  1. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate  në namazin e teravive

 

Pas vërtetimit të ligjshmërisë së faljes në kolektiv të namazit të teravive, me aprovimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), veprën dhe nxitjen e tij për të, tani do të sqarojmë numrin e rekateve që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali në ato netë Ramazani bashkë me njerëzit. Dijeni se në këtë çështje posedojmë dy hadithe:

Hadithi i parë (Sahih): Transmetohet nga Ebu Seleme ibën Ebi Abdurrahman, se ai pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për formën e namazit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan dhe ajo tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më tepër se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës[4], as në Ramazan e as në muajt e tjerë. Ai falte katër rekate[5], dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte katër të tjera dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj falte tre rekate (vitrin).”

Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tirmidhiu, En Nesai, Ahmedi, Maliku dhe nga ai e ka marrë edhe Bejhakiu.

Hadithi i dytë (Hasen): Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  fali me ne tetë rekate në muajin e Ramazanit (teravi) dhe pastaj fali vitrin. Të nesërmen ne u mblodhëm në xhami dhe shpresonim që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të dilte. Qëndruam në pritje deri në sabah. Atëherë shkuam tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thamë: O i Dërguari i Allahut, mbrëmë u mblodhëm në xhami dhe po prisnim që ti të vije të faleshe me ne. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Unë kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm.” D.m.th: namazi i teravive dhe i natës përgjithësisht.

Këtë hadith e transmeton Ibën Nasr dhe Taberani. Senedi i tij është i mirë (hasen) duke u nisur nga hadithi para këtij, ndërsa El Hafidh (Ibën Haxheri) e ka quajtur të forte, në librin “Fet’hul Bari” dhe në librin “Et Tehlis”, pastaj ia adresoi atë Ibën Huzejmes dhe Ibën Hibanit në dy sahihat e tyre.

 


 

Hadithi për faljen e teravive me njëzet rekate është shumë i dobët dhe nuk lejohet të punohet me të

 

Pas përmendjes së hadithit për faljen e teravive me njëzetë rekate, Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” (4/205-206), në shpjegimin e tij, thotë:  “Sa i përket hadithit të transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe, nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut falte njëzetë rekate në muajin e Ramazanit dhe pastaj falte vitrin”, senedi i këtij hadithi është Daif-i dobët dhe ai bie në kundërshtim me hadithin e Aishes që transmetohet në dy sahihat e Buhariut dhe Muslimit, duke qënë e ditur se ajo di më mirë për gjendjen e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  se të tjerët.

Megjithëse atë (Ibën Haxherin) e ka paraprirë në këtë perceptim El Hafidh Ez Zejlei në librin “Nasbu er Raje”.

Them: Ky hadith i Ibën Abasit është shumë i dobët, siç thotë edhe Es Sujuti në “El Havi lil fetava” (2/73). Defekti i tij qëndron se në mesin e transmetuesëve të tij gjendet Ebu Shejbe Ibrahim ibën Uthman, për të cilin Ibën Haxheri, në librin “Et Tekrib” ka thënë: “Atij i lihet hadithi (nuk i merret).” Dhe sepse ai transmeton hadithe të shpifura, si hadithi “Të gjithë popujt që janë shkatërruar, janë shkatërruar në muajin mars dhe se Kijameti do të bëhet në muajin mars.”

Po kështu edhe hadithi i tij për teravitë është prej grupit të haditheve të tij të refuzuara.

Ndërsa Es Subki ka shprehur qartë se kushti i të punuarit me hadithin e dobët është që dobësia e tij të mos jetë e fortë.

Them: Në përcjelljen e fjalës së Subkit kuptohet se El Hejthemi nuk mendon se teravitë falen me njëzetë rekate.

Pas përmendjes së hadithit të Xhabirit, nga transmetimi i Ibën Hibanit, Es Sujuti thotë:

“Përfundimi është se të falurit e teravive me njëzetë rekate nuk është bërë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe se hadithet e gjendura në “Sahihun” e Ibën Hibanit janë caku ku shkojmë dhe zgjedhim, duke u kapur gjithashtu në atë që transmetohet në Sahihun e Buhariut nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës, në muajin Ramazan apo në muajt e tjerë.

Argument për këtë është gjithashtu se prej zakonit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte se kur ai punonte një vepër, e vazhdonte atë dhe nuk e ndërpriste, ashtu siç kryente vazhdimisht dy rekatet (sunete të drekës) që i falte kaza pas namazit të ikindisë, ndërkohë që të falurit në këtë kohë është e ndaluar. Kështu që, nëse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do t’i kishte falur teravitë me njëzetë rekate, qoftë edhe një herë të vetme, ai nuk do ta kishte lënë atë dhe nëse kjo do të kishte ndodhur, nuk do të mund ti kishte shpëtuar Aishes, e cila ka thënë fjalën e saj të mësipërme.

Them: Në këtë fjalë të tij ka shenjë të fortë në zgjedhjen e tij namazin e teravive me njëmbëdhjetë rekate dhe në refuzimin e tij të falurit e tyre me njëzetë rekate, që përmendet në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kjo për shkak të dobësisë së fortë në të, ndaj medito!

 

 


 

  1. Të mjaftuarit e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me njëmbëdhjetë rekate është argument për moslejimin e të shtuarit mbi to

 

Nga sa u tha më sipër na bëhet e qartë se numri i rekateve të namazit të natës (prej të cilit janë edhe teravitë) është njëmbëdhjetë rekate, të përfituara nga teksti i saktë për veprën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse do të qëndronim pak me të, do të na bëhet e qartë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në këtë numër gjatë gjithë jetës së tij, dhe nuk ka shtuar mbi të as në Ramazan dhe as në ndonjë muaj tjetër.

Nëse do të kujtonim se sunetet e forta para dhe pas namazeve farz, si dhe namazet e tjera si namazi për kërkimin e shiut, apo namazi i eklipsit, në të gjitha këto namaze i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte gjithnjë numër të njëjtë rekatesh dhe kjo qëndrueshmëri ishte argument i pranuar për dijetarët se nuk lejohet të shtohet në numrin e tyre mbi atë që ka vepruar i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Po kështu edhe namazi i teravive, nuk lejohet shtesa në të më shumë se numri i bërë rrugë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shkak të bashkimit të tyre me namazet e përmendura më sipër në lidhje me kapjen e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një numër të kufizuar në to, mbi të cilin ai nuk shtonte.

Kështu që, kush pretendon se ndërmjet këtyre namazeve ka dallim për nga natyra e tyre, ai duhet të sjellë argument.

Përveç kësaj, namazi i teravive nuk është prej namazeve nafile (vullnetare) të lira plotësisht, ku ai që falet ka të drejtë të falë sa të dojë prej tyre, pa ndonjë numër të kufizuar, por ai është sunet i fortë i cili i ngjan namazeve farze për nga ligjshmëria e të falurit të tyre në kolektiv, siç thonë shafiitë. Për nga kjo pikëpamje, namazi i teravive është më i parë se sunetet e forta për të mos shtuar më shumë se numri i tyre i caktuar dhe i vepruar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Për këtë shkak, ata (shafiitë) e ndaluan bashkimin e katër rekateve prej teravive me një selam të vetëm duke menduar se diçka e tillë nuk ka ardhur nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe duke u argumentuar me fjalën se teravitë i ngjajnë namazeve farze për nga të falurit e tyre me xhemat, kështu që nuk lejohet ndryshimi në atë që ka ardhur për mënyrën e faljes së tyre.

Vështro se si e kanë ndaluar atë që bashkon dy rekate me dy të tjera, forma të cilat janë përcjellur që të dyja si vepra të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sepse sipas tyre, në bashkimin e e tyre ndodh ndryshim i asaj që është përcjellë se ato falen të ndara dy e nga dy.

Prej këtu, a nuk kemi të drejtë ne që të ndalojmë me të njëjtin argument, shtimin e dhjetë rekateve për të cilat nuk ka asnjë lloj origjine në sunetin e saktë?!

-Patjetër që po, madje kjo është më e drejtë dhe më me vend për tu ndaluar. Por a ka ndonjë që përkujton?!

Edhe sikur ta konsideronim namazin e teravive prej namazeve nafile të lira e të përgjithshme për të cilat Ligjvënësi nuk ka caktuar ndonjë numër të kufizuar, përsëri nuk do të na lejohej që të kapeshim pas një numri të caktuar nga vetë ne dhe të mos e shkelnim atë, sepse siç thuhet në bazat e fikhut: “nuk lejohet të kapurit pas një forme të caktuar adhurimi që nuk është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Dijetari Mula Ahmed Rumi el hanefi, autori i librit “Mexhalisu el Ebrar” thotë: “Kjo sepse, moskryerja e një vepre nga brezi i parë i muslimanëve do të ishte për shkak të mosnevojshmërisë për të, ose për shkak të ndonjë pengese, ose nga mosvënia re dhe harresa e saj, ose nga përtacia, ose nga mosligjshmëria e saj. Dy të parat refuzohen kur kanë lidhje me adhurimet trupore sepse nevoja për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar nuk ndërpritet kurrë dhe pas ardhjes së Islamit nuk ka pasur më ndonjë pengesë për to. Po kështu nuk mund të çohet ndër mend se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishte i vëmendshëm për ndonjë adhurim, apo se ai kishte dembelizëm, sepse ky është supozimi më i keq që të shpie drejt mosbesimit (kufrit). Kështu që nuk ngel veçse të qenurit e atij adhurimi diçka e keqe dhe e paligjshme.

Po kështu thuhet edhe për atë që vepron një vepër trupore sipas një forme që nuk ka qenë në kohën e sahabeve, sepse përndryshe, sikur forma e adhurimit me një vepër të shpikur të konsiderohej bidat i mirë, atëherë nuk do të ekzistonte ndonjë bidat i urryer në ndonjë lloj adhurimi! As dijetarët e fikhut nuk do ta konsideronin bidat të refuzuar namazin e dëshirës (që bëjnë sufitë) dhe faljen e tij me xhemat, apo llojet e ndryshme të melodive nëpër hytbe (predikimet e ditës së xhuma) e në thirrjen e ezanit, apo të lexuarit e Kuranit në ruku, ngritjen e zërit me përmendjen e Allahut para xhenazesë, e të tjera bidate të urryera si këto. Ai që thotë se këto janë bidate të mira, atij i thuhet: Ajo vepër që është aprovuar si e mirë në tekstet e sheriatit, ajo nuk është bidat dhe kështu qëndron aktiv e përgjithshmja e domethënies së përgjithshme në hadithin: “Çdo bidat (risi) është humbje” si dhe në hadithin: “Çdo punë që nuk bëhet sipas çështjes sonë, ajo është e refuzuar”. Kështu, ato bidate do të jenë të veçuara nga kjo përgjithshmëri, ku siç dihet, teksti i përgjithshëm nga i cili është përjashtuar diçka, ai tekst mbetet argument për ato që përfshin dhe nuk është argument për ato që kanë dalë prej tij, kështu që ai që pretendon përjashtimin e diçkaje nga gjykimi i përgjithshëm, ai duhet të sjellë argument të vlefshëm për atë përjashtim, nga Kurani, suneti apo ixhmai (unanimi i dijetarëve), gjë kjo e cila është e veçantë për ata që janë të aftë për ixhtihad (përpjekje për nxjerrjen e gjykimit nga tekstet) dhe jo për njerëzit e thjeshtë.

Kështu që, kush shpik diçka të re me të cilën kërkon të afrohet tek Allahu i Madhëruar, qoftë ajo fjalë apo vepër, ai ka vënë ligj diçka për të cilën Allahu nuk ka dhënë lejë dhe me këtë bëhet e qartë se të gjitha risitë në adhurimet trupore nuk mund të jenë veçse të këqia.”[6]

 


 

Disa dyshime dhe përgjigja për to

 

Nëse mësojmë se nga ky tekst përfitohet moslejimi i të shtuarit mbi atë numër rekatesh (njëmbëdhjetë rekate), do të ishte me vend dhe e dobishme që të paraqesnim disa dyshime apo paqartësi të cilat mund t’i hedhin disa njerëz rreth kësaj çështje, bashkë me përgjigjen e tyre, me qëllim që lexuesi i nderuar të jetë mëse i qartë dhe i vendosur në veten e tij. Në lidhje me këtë them:

Dyshimi i parë: [Kundërshtimi ndërmjet dijetarëve është argument për mosqëndrueshmërinë e tekstit të veçantë që cakton numrin e teravive].

Siç dihet, dijetarët janë kundërshtuar për numrin e rekateve të namazit të teravive në disa fjalë, siç do ta shohim më pas dhe prej këtu dikush mund të thotë: Ky kundërshtim dhe kjo mosmarrëveshje argumenton për mosekzistencën e një teksti të veçantë për numrin e tyre, sepse përndryshe ata nuk do të binin në kundërshtim për numrin e tyre.”

Për këtë dyshim, Sujuti është shprehur kështu në librin “El Havi” (1/74): “Dijetarët janë kundërshtuar në lidhje me numrin e tyre (rekateve të teravive) dhe sikur diçka e tillë do të ishte e qëndrueshme nga vepra e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk do të kundërshtoheshin për të, ashtu si nuk janë kundërshtuar për numrin e rekateve të namazit të vitrit dhe suneteve të forta?!”

Përgjigja: Ne e pranojmë se disa kundërshtime të dijetarëve ndodhin për shkak të mosekzistencës së tekstit të veçantë për një çështje të caktuar, por që këtë fjalë ta thotë Sujuti, kjo është shumë e habitshme, sepse ai kupton prej saj se kundërshtimi në mesin e dijetarëve ndodh vetëm për një arsye të vetme, e cila është mosqëndrueshmëria e tekstit vendimdhënës, duke qënë e ditur se në mesin e dijetarëve  ekzistojnë kundërshtime të shumta, shkaku i të cilave nuk ka qënë mosekzistenca e tekstit vendimdhënës, por ka qënë mosmbërritja e atij teksti tek ai dijetar që ka thënë të kundërtën e tij, ose i ka mbërritur por jo me rrugë të fortë e të pranuar për ngritjen e argumentit me të, ose mund ti ketë mbërritur i saktë por ai e ka kuptuar atë ndryshe nga ç’e ka kuptuar dijetari tjetër, e shumë e shumë shkaqe të tjera për kundërshtimin e tyre, të cilat janë përmendur nga dijetarët.

Pra, kundërshtimi nuk ka ndodhur vetëm për një arsye, por siç e sheh, ai ndosh për arsye të shumta. A nuk e sheh se ekzistojnë çështje të shumta për të cilat dijetarët janë kundërshtuar me njëri-tjetrin, megjithëse për ato çështje kanë ardhur argumente të qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç është e njohur tek dijetarët e fikhut dhe njoftimeve të mëparshmëve.

Për këtë po paraqesim një shembull të qartë dhe që ka lidhje me “ngritjen e duarve në namaz kur bie në ruku dhe kur ngrihesh prej saj”:

Mbarë dijetarët e të gjitha medhhebeve kanë rënë dakord për ligjshmërinë e saj, përveç hanefive, megjithëse për këtë gjë kanë ardhur rreth njëzetë hadithe të sakta, në disa prej të cilave thuhet se Ebu Humejd Es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) përshkroi formën e namazit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në prezencën e dhjetë sahabeve të tjerë dhe përmendi në të ngritjen e duarve. Kur ai mbaroi përshkrimin e tij, ata thanë: Të vërtetën ke thënë, kështu ishte forma e namazit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Këtë hadith e transmeton Buhariu.

Ndërsa Ebu Hanifja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kur u pyet për shkakun e mosveprimit të tij sipas hadithit të ngritjes së duarve, ai u përgjigj: “Sepse për këtë gjë nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Kjo tregohet në një dialog të njohur që është zhvilluar mes Ebu Hanifes dhe një prej dijetarëve të hadithit, të cilin e kanë përmendur dijetarët hanefi në librat e tyre. Kjo fjalë e imam Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!) nuk do të mund të thuhej nga ai, sikur ai të kishte qëndruar para këtyre teksteve që përmendëm më parë.

Ky është argumenti më i madh se arsyeja e kundërshtimit në këtë çështje nuk ka qënë për shkak të mosekzistencës apo mosqëndrueshmërisë së tekstit vendimdhënës, por arsyeja e tij ka qënë mosmbërritja e tij tek dijetari me rrugë të saktë, siç e ka shprehur këtë vetë imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë!), për veten e tij. Ky është një shembull i vetëm në mesin e shembujve të shumtë të njohur tek ata që merren me sunetin.

Them: Ashtu si nuk argumenton mosekzistencën e tekstit të qëndrueshëm kundërshtimi në këtë çështje, po kështu as kundërshtimi për numrin e rekateve të teravive nuk argumenton mosekzistencën e tekstit të qëndrueshëm, sepse në realitet teksti për këtë është i qëndrueshëm dhe i saktë, kështu që nuk lejohet kundërshtimi i tekstit për shkak të kundërshtimit të ndodhur, por detyra dhe obligimi në këtë rast është të kthyerit tek teksti, duke vepruar sipas Fjalës së Allahut të Lartësuar: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk mund të kenë aspak besim derisa të të marrin ty (O Muhamed) gjykues për të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre dhe të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato plotësisht të nënshtruar.” [En Nisa: 65].

Dhe Fjalës së Allahut të Madhëruar: “Nëse keni mosmarrëveshje për ndonjë gjë mes jush, kthejeni atë (për gjykim) te Allahu dhe i Dërguari, nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” [En Nisa: 59].

Dyshimi i dytë: [Nuk ka ndonjë pengesë që të shtosh diçka në tekst, përderisa nuk është ndaluar nga ajo gjë]

Dikush tjetër mund të thotë: E pranojmë se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka falur teravitë vetëm me njëmbëdhjetë rekate dhe se njoftimi ku thuhet se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e teravive me njëzetë rekate, është vërtetuar se është i dobët, por ne nuk shohim ndonjë pengesë për të shtuar mbi atë numër, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka ndaluar nga kjo gjë?!”

Them: Origjina për adhurimet është se ato nuk mund të vendosen veçse me vendimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Për këtë origjinë kanë rënë dakord të gjithë dijetarët dhe nuk mund të imagjinojmë se ndonjë musliman i ditur ta kundërshtojë atë, përndryshe, sikur të mos ishte kjo bazë, atëherë do ti lejohej çdo muslimani që të shtonte numrin e rekateve të namazeve sunete, madje edhe të namazeve farze që janë vendosur me veprën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe qëndrueshmërinë e tij në atë numër, me pretendencën se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk e ka ndaluar diçka të atillë.

Kjo është diçka e qartë dhe paqëndrueshmëria e saj është e dukshme, kështu që nuk është e nevojshme të flasim gjatë për të, aq më tepër pas sqarimit të mësipërm ku dolëm në përfundimin se të shtuarit në namazin e teravive është më e drejtë për tu ndaluar, sesa të shtuarit në namazet sunete dhe në sunetet e forta.

Dyshimi i tretë: [Të kapurit pas teksteve të pakufizuara dhe përgjithësuese]

Dikush mund të kapet pas teksteve të pakufizuara e të përgjithshme, të cilat nxisin për faljen e sa më shumë namazeve vullnetare, pa ndonjë numër të kufizuar e të caktuar. Si në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Rabijah ibën Keab i cili i kishte kërkuar atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  shoqërimin e tij në xhenet: “Më ndihmo për veten tënde duke bërë sa më shumë sexhde!” Hadith Sahih. Atë e transmeton Muslimi në Sahihun e tij dhe Ebu Avane.

Dhe si hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai dëshironte të falej sa më gjatë në netët e Ramazanit…

E hadithe të tjera si këto të cilat në pamje të parë dhe në përgjithshmërinë e tyre tregojnë ligjshmërinë e të falurit aq sa rekate të dojë ai që falet.

Përgjigja: Kjo është një mbështetje dhe kapje shumë e dobët, madje ajo është veçse një dyshim që nuk ia vlen të flitet për të, njësoj si ai para këtij. Kjo sepse të punuarit sipas të pakufizuarës dhe të përgjithshmes së teksteve vlen vetëm në ato gjëra që nuk i ka kufizuar sheriati, por nëse sheriati kufizon një gjykim të përgjithshëm, atëherë ne duhet t’i përmbahemi atij kufizimi dhe të mos mjaftohemi me kuptimin e përgjithshëm të tij dhe meqë çështja jonë është namazi i teravive, i cili nuk është prej namazeve vullnetare të pakufizuara, sepse ai është i kufizuar me tekstin e përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç e pamë më parë. Kështu që nuk lejohet shfuqizimi i këtij kufizimi duke u mbështetur në tekstin gjithpërfshirës dhe ai që e bën diçka të tillë është njësoj si ai që fal namaz të ndryshëm nga ai i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të përcjellë nga ai me senede të sakta, duke i kundërshtuar ato në formë e në sasi dhe duke lënë në harresë fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Faluni ashtu siç më patë mua të falem!”, duke argumentuar me pamjen e parë dhe të përgjithshme të teksteve. Njësoj sikur të falte namazin e drekës me pesë rekate, apo të falte sunetet e sabahut me katër rekate, apo të bënte dy ruku në një rekat dhe më shumë se dy sexhde në një rekat.

Lajthitja dhe pasaktësia e kësaj fjale nuk i shpëton askujt që ka logjikë dhe për këtë arsye dijetari i madh Ali Mahfudh, në librin “El Ibda” (f.25), pas përcjelljes së fjalës së dijetarëve të katër medhhebeve, se ajo që i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e ka lënë pa vepruar, duke qënë se nevoja ka qënë e domosdoshme për tu njohur vepra e tij dhe megjithatë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e ka lënë atë, pikërisht lënia e saj është sunet, ndërsa të vepruarit e saj është bidat i shëmtuar, ai thotë:

“Me këtë të bëhet e qartë se të kapurit pas teksteve të pakufizuara duke qënë i pavëmendshëm ndaj sqarimit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  dhe lënia e atij sqarimi, kjo është prej pasimit të asaj që nuk është plotësisht e qartë, nga e cila Allahu ka ndaluar. Dhe nëse do të mbështeteshim vetëm tek tekstet e pakufizuara dhe nuk do tia hidhnim sytë sqarimit të tyre, atëherë do të hapej një derë e madhe prej dyerve të bidatit e cila nuk do të mund të mbyllet më dhe as nuk do të ndalin shpikjet e risitë në fe. Për këtë po paraqesim disa shembuj:

Shembulli i parë:  Në një hadith të transmetuar nga Taberani, thuhet: “Namazi është çështja më e mirë që mund të bëhet.”

Sikur ne ti përmbaheshim kuptimit të përgjithshëm e të pakufizuar të këtij hadithi, atëherë si do të mund të ishte bidat namazi i dëshirës (që bëjnë sufitë) dhe si do të mund të ishte bidat falja në muajin Shaban, kur ato përfshihen në kuptimin e përgjithshëm të hadithit?! Ndërsa dijetarët e kanë shprehur qartë se këto dy namaze janë bidate të shëmtuara.

Shembulli i dytë: Allahu i Lartësuar thotë: “Kush thotë fjalë më të mirë nga ai që thërret për tek Allahu dhe vepron punë të mira?!” Dhe thotë: “Përmendeni Allahun sa më shumë!”

Sikur dikush të thoshte se thirrja e ezanit për namazet e dy bajrameve, dy eklipseve dhe teravive është diçka e pëlqyeshme, ndërsa ne ti thoshim atij se si mund të jetë kështu kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk e ka vepruar dhe nuk ka urdhëruar për diçka të tillë as edhe një herë në të gjithë jetën e tij, dhe ai të na thoshte: “Muezini është thirrës për tek Allahu dhe ai është përmendës i Allahut”, atëherë si do ti bëhej i qartë argumenti atij dhe si do të rrëzohej bidati i tij?!

Shembulli i tretë: Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë të Dërguarin…”

Sikur të vlente bazimi në të përgjithshmet, do të vlente që të afroheshim tek Allahu duke dërguar salavat mbi të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  në namazin e natës, në rukutë dhe sexhdet e tij, apo në vende të tjera që nuk janë caktuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kush është ai që e lejon të afruarin tek Allahu me gjëra të tilla dhe si mund të jetë adhurim i konsiderueshëm namazi që bëhet në këtë formë?!

Shembulli i katërt: Në një hadith të saktë thuhet: “Të mbjellat e vaditura me ujin e shiut dhe të burimeve, apo qëcilat e gjejnë vetë ujin me shtrirjen e rrënjëve (si palma, etj), për to jepet zekat një e dhjeta e prodhimit, ndërsa për ato që vaditen me krahë e mbartje me kafshë, jepet gjysma e një të dhjetës.”

Sikur të bazoheshim në kuptimin e përgjithshëm të këtij hadithi, atëherë nxjerrja e zekatit për të gjitha të mbjellat do të ishte e detyrueshme dhe ata nuk kanë mbështetje tjetër për mosdetyrueshmërinë e zekatit në ndonjë të mbjellë, përveç kësaj baze që thotë: Ajo që i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë pa vepruar, duke qenë se nevoja ka qenë e domosdoshme për tu njohur vepra e tij dhe megjithatë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë atë, pikërisht lënia e saj është sunet, ndërsa të vepruarit e saj është bidat i shëmtuar.”

 

Shkaku i vërtetë i mosmarrëveshjes së dijetarëve  për numrin e rekateve të teravive

 

Në qoftë se thuhet: E pranojmë rrëzimin e të gjitha këtyre dyshimeve dhe sigurinë e tekstit për numrin e teravive nga çdo kundërvënie, por cili është shkaku që i ka bërë dijetarët të kundërshtohen në numrin e rekateve të namazit të teravive?

Themi: Neve na bëhen të qarta dy çështje në këtë pikë dhe ato nuk kanë të tretë:

E para, e cila është më e forta dhe më e shumta: mosndeshja (mosgjetja) e tekstit të përcjellë për numrin e rekateve të teravive, dhe sigurisht që ky person është i justifikuar për mosveprimin e tij sipas tekstit, sepse Allahu i Lartësuar, në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me Kuranin, thotë: “Me qëllim që t’iu përkujtoj juve dhe atë që i mbërrin ai.” Madje ai ka shpërblim, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në një hadith të saktë ka thënë: “Nëse gjykatësi jep vendim pas përpjekjes së tij maksimale dhe ia qëllon të vërtetës, ai ka dy shpërblime dhe nëse gjykon pas përpjekjes së tij maksimale, por gabon në gjykim, ai ka vetëm një shpërblim.”

Këtë hadith e transmeton Buhariu e të tjerë.

E dyta: Ata e kanë kuptuar teksin me një një kuptim në të cilin, sipas tyre nuk duhet qëndruar tek ai dhe të shtuarit mbi të nuk ka problem, duke u nisur nga një prej mënyrave të të komentuarit tek e cila janë mbështetur disa dijetarë, pa marrë parasysh nëse ajo mënyrë është e saktë apo e gabuar. Siç thonë për shembull shafiitë: Përsa i përket fjalës së Aishes e cila thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më tepër se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës, as në Ramazan e as në muajt e tjerë.” Kjo fjalë, sipas tyre ka për qëllim namazin e vitrit.

Një mënyrë komentimi e tillë, e të tjera si kjo, nuk mund t’u imponohen të tjerëve që të mbështeten tek ato, për shkak se atyre u është bërë e qartë dobësia e tyre.

Vëre për shembull dobësinë e këtij komentimi të shafiive, dobësia e të cilit duket qartë nëse kujton se kjo fjalë e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte si përgjigje e atij që e pyeti atë: “Si ishte namazi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në muajin e Ramazanit?” Siç e pamë më sipër dhe namazi për të cilin ajo është pyetur përfshin të gjithë namazin e natës, kështu që si mund të veçohet vetëm për namazin e vitrit dhe të përjashtohet namazi i natës?!

Përveç kësaj, kjo fjalë do të thotë gjithashtu se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte dy lloje namazesh; njëri prej tyre ishte namazi i natës, numri i rekateve te të cilit nuk dihet se sa ishte dhe tjetri ishte namazi i vitrit me më të shumtën e rekateve të tij, njëmbëdhjetë rekate.

Por këtë fjalë nuk e thotë askush prej atyre të cilët e njohin sunetin, sepse hadithet që thonë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate në natë, janë të shumta, siç u sqarua më parë.

Kjo në fakt është si rezultat i komentimit të teksteve për mbrojtjen e medhhebit.

 


 

Qëndrimi ynë ndaj kundërshtarëve tanë në këtë çështje e në çështje të tjera

 

Nëse mësohet kjo, atëherë të mos i shkojë askujt ndër mend se meqë ne kemi zgjedhur ti përmbahemi sunetit në numrin e rekateve të teravive dhe moslejimin e të shtuarit mbi to, por kjo nuk do të thotë se ne i konsiderojmë të humbur e bidatçinj ata dijetarë të hershëm e të mëvonshëm të cilët kanë mendim të kundërt me këtë, siç kanë menduar disa njerëz dhe e kanë marrë këtë argument për të folur kundër nesh, duke supozuar se nga fjala jonë rrjedh që: nëse një vepër e caktuar nuk është e lejuar apo është bidat, atëherë çdokush që thotë se ajo është e lejuar apo e pëlqyer, ai është bidatçi i humbur.

Por nuk është kështu. Kjo fjalë është supozim i pasaktë dhe injorancë e madhe, sepse bidati që e bën bidatçi vepruesin e tij dhe i hedh mbi shpinë atij hadithet që ndalojnë nga risitë në Fe është: “ajo rrugë e shpikur në Fe, e cila i kundërvihet dhe e kundërshton sheriatin, duke pasur për qëllim me pasimin e saj teprimin dhe tejkalimin (e detyrës së ngarkuar nga sheriati) në adhurimin e Allahut të Lartësuar.”[7]

Kështu që, kushdo që shpik një risi me qëllim që ta teprojë e ekzagjerojë në adhurim, duke qënë se është i vetëdijshëm që ai ekzagjerim nuk është prej sheriatit, këtij personi i mvishen ato hadithe. Ndërsa ai i cili bie në këtë gjë pa e ditur atë dhe pa pasur për qëllim ekzagjerimin në adhurim, këtë person nuk e përfshijnë ato hadithe në asnjë mënyrë dhe as nuk kanë për qëllim atë person, por ato kanë për qëllim ata bidatçinj të cilët i qëndrojnë në rrugë (bëhen pengesë) përhapjes së sunetit dhe konsiderojnë të pëlqyeshme e të mirë çdo lloj bidati, pa pasur dije, pa udhëzim dhe pa ndonjë argument të qartë, madje edhe pa imitim të verbër të ndonjë dijetari, por vetëm për të pasuar epshet e tyre dhe për të kënaqur njerëzit e thjeshtë e të paditur të masës së gjerë të popullit.

Por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë ndonjë prej dijetarëve të njohur për dijen e tyre, sinqeritetin, pozitivitetin dhe moralin e tyre, aq më tepër prej katër imamëve të mëdhenj (të medhhebeve) –Allahu i mëshiroftë të gjithë ata! Ne e themi prerë dhe të bindur se ata nuk e bëjnë kurrë që ta konsiderojnë të mirë një bidat me qëllim që të ekzagjerojnë në adhurim. Si mund ta bëjnë ata diçka të atillë, kur vetë ata kanë ndaluar nga kjo gjë, siç do ta shohim nga vetë fjalët e tyre në një broshurë të veçantë për bidatin –me Lejën e Allahut-.

Po, ndodh që ndokush prej tyre të bierë në diçka që është gabim në sheriat, por ai nuk dënohet për atë gjë, madje atij i është falur ajo dhe ka shpërblim për të (për përpjekjen e tij për të njohur të vërtetën), siç e pamë më sipër.

Ndonjë studiuesi mund t’i bëhet e qartë se ky gabim i caktuar është prej llojit të bidateve, por megjithatë, gjykimi për atë dijetar nuk ndryshon në lidhje me faljen dhe shpërblimin e tij, sepse kjo ka ndodhur prej tij pas përpjekjes për njohjen e së vërtetës dhe nuk dyshon asnjë dijetar se nuk ka dallim në të konsideruarit gabim rënien e dijetarit në një bidat duke menduar se ai është sunet dhe ndërmjet rënies së tij në haram duke menduar se ajo është hallall. Të gjitha këto janë gabime që i falen dijetarëve, siç e mësove më sipër. Për këtë shkak, ne shpeshherë i shohim dijetarët që megjithë mosmarrëveshjen e tyre të madhe në disa çështje, ata nuk e konsiderojnë të humbur shoku-shokun dhe as nuk e konsiderojnë bidatçi njëri-tjetrin.

Për këtë po paraqesim një shembull të vetëm: Që në kohën e sahabeve janë kundërshtuar për faljen apo jo të plotë të namazit në udhëtim. Disa prej tyre e kanë lejuar këtë, ndërsa të tjerë e kanë ndaluar dhe e kanë konsideruar bidat që kundërshton sunetin, por megjithatë ata nuk e kanë quajtur bidatçi kundërshtarin e tyre.

Dëgjo se ç’thotë Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në një ether (fjalë) të saktë (Sahih): “Namazi i udhëtarit është me dy rekate dhe kush e kundërshton këtë sunet, ai ka bërë kufër (ka dalë nga Feja).”

Këtë fjalë të tij e ka transmetuar Es Siraxh në “Musnedin” e tij me dy zinxhirë të saktë transmetuesish, por megjithatë ai nuk e ka nxjerrë nga Feja dhe as nuk e ka quajtur bidatçi atë që vepron ndryshe nga ky sunet, duke qenë se i mbështetet ixhtihadit (përpjekjes për njohjen e së vërtetës), madje kur është falur pas dikujt që mendon se namazi duhet të falet i plotë në udhëtim, ai e ka falur namazin të plotë bashkë me të.

Es Siraxh transmeton me sened të saktë nga Ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ishte në Mina (duke bërë haxhin) e fali namazin me dy rekate. Kështu veproi edhe Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani në fillim të qeverisjes së tij. Por më pas, Uthmani filloi ta falte namazin në Mina me katër rekate dhe kur Ibën Umeri falej me ta, edhe ai e falte namazin me katër rekate, ndërsa nëse falej vetëm, ai e falte namazin me dy rekate (është fjala gjithnjë për namazet farz).”

Hadith të ngjashëm me këtë ka nxjerrë edhe Buhariu nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe në të thuhet se kur ai (Ibën Mes’udi) mori vesh se Uthmani e falte namazin të plotë (në Mina), ai u kthye nga mendimi i tij.”

Vështro se si besimi për të qenurit gabim e atij që kundërshton sunetin e qëndrueshëm duke e falur të plotë namazin në udhëtim, nuk e ka shtyrë Ibën Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ta konsiderojë atë të humbur apo bidatçi, madje ai u fal pas tij, sepse ai e di që Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk e falte namazin të plotë si rezultat i ndjekjes së pasionit e dëshirës së tij –Allahu na ruajtë nga kjo fjalë!-, por ai e bënte atë si rezultat i përpjekjes së tij.

Kjo është ajo rruga e mesme të cilën ne e shohim të detyrueshme për muslimanët që ta ndjekin atë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që gjenden ndërmjet tyre; gjithsecili prej tyre ta shprehë atë që mendon se është e saktë dhe në përputhshmëri me Kuranin dhe sunetin, por me kusht që të mos e quajë të humbur e bidatçi atë që nuk mendon të njëjtën gjë si rezultat i ndonjë pështjellimi që i është përballur, sepse kjo është rruga me të cilën mund të arrihet bashkimi dhe njësimi i muslimanëve.

Për këtë arsye, ne mendojmë gjithashtu se ndarja e muslimanëve në namaz duke u falur pas një numri imamësh; ky imam hanefi, ky shafii …, është në kundërshtim me rrugën e të parëve tanë të mirë, prej të bashkuarit në namaz pas një imami të vetëm dhe mosndarjen pas disa imamëve.

Ky është qëndrimi ynë në çështjet ku ka kundërshtim mes muslimanëve; thënia e të vërtetës me mënyrën më të mirë dhe moskonsiderimi të humbur atë që na kundërshton si rezultat i ndonjë pështjellimi a dyshimi, por jo si rezultat i pasimit të dëshirave e pasioneve.

Kjo është rruga që kemi ndjekur, që kur na ka udhëzuar Allahu për pasimin e sunetit dhe kjo për afro njëzet vjet (kjo fjalë është thënë që në shkrimin e këtij libri) dhe këtë qëndrim, ne urojmë dhe shpresojmë për ata që nxitohen në konsiderimin e muslimanëve si të humbur dhe prej rrugës së të cilëve është parrulla: “Nëse pyet për rrugën tonë, ne themi: ajo është e saktë por mund të jetë edhe gabim. Ndërsa nëse pyetemi për rrugën e të tjerëve, ne themi: Ajo është e gabuar por mund të jetë edhe e saktë.” Si dhe ata të cilët thonë se namazi pas kundërshtarit në medhheb është i papëlqyer, apo i pavlefshëm dhe për këtë shkak ata ndahen në grupe brenda një xhamie të vetme dhe veçanërisht në xhematin e namazit të vitrit në muajin e Ramazanit, sepse sipas mendimit të disa prej tyre, namazi i vitrit nuk vlen, nëse imami i ndan dy rekatet e para të tij nga teku (vitri), megjithëse kjo është më e preferuara dhe e qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç do ta shohim më pas.

Ky është qëndrimi ynë dhe unë nuk besoj se ndonjë që ka logjikë na kundërshton në të, ndërsa ai që na mvesh gjë tjetër përveç kësaj, ai ka gabuar, është i padrejtë dhe ka bërë padrejtësi, ndërsa llogaria e tij është tek Allahu.

Qëllimi ynë në përhapjen e sunetit në këtë çështje e në të tjera është i qartë e i dukshëm. Qëllimi është komunikimi i tij tek populli, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Komunikoni nga unë qoftë edhe një ajet…”

Këtë hadith e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndoshta kur ai tu komunikohet atyre, ata binden për vërtetësinë e tij dhe e zbatojnë atë, gjë në të cilën gjendet shpëtimi dhe lumturia e tyre në të dyja botët.

Në këtë vepër (komunikimin e sunetit) na shumëfishohet edhe shpërblimi –insha Allahu- sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush hap një rrugë (ringjall një sunet, vepër) të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që do ta veprojnë atë deri në Ditën e Kijametit.”

Ndërsa ai që nuk bindet me të, si rezultat i ndonjë pështjellimi dhe jo nga pasimi i dëshirave e epsheve, as nga pasimi i baballarëve e gjyshërve, për tek ai (quajtjen e tij të humbur) nuk ka rrugë, aq më tepër kur të ketë pasur edhe dijetarë të mëdhenj që të mos jenë kapur pas asaj vepre, siç është puna në çështjen tonë.

 


 

Më e paqshme është pasimi i sunetit

 

Sido që të thuhet për lejimin e të shtuarit në numrin e teravive apo jo, unë nuk besoj se ndonjë musliman qëndron në mëdyshje –pas sqarimit të mësipërm- se numri i teravive që është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më i mirë të praktikohet sesa të shtuarit mbi të, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka shprehur qartë në fjalën e tij se: “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit” Këtë hadith e transmeton Muslimi. Atëherë çfarë i pengon muslimanët sot që të veprojnë sipas këtij udhëzimi Muhamedan dhe ti lënë shtesat mbi të?!

Çfarë i pengon muslimanët sot që të veprojnë sipas këtij udhëzimi Muhamedan dhe ti lënë shtesat mbi të, qoftë edhe nga këndvështrimi: “Lëre të dyshimtën dhe shko tek ajo e padyshimta!”, aq më tepër kur shumica e tyre e prishin formën e kryerjes së namazit të teravive me njëzetë rekate, për shkak të shpejtësisë së tepërme në kryerjen e tyre, saqë mund të thuhet se namazi i tyre është krejt i pavlefshëm për shkak të defektit në të falurit qetë, e cila është një prej shtyllave (rukneve) të namazit, pa të cilin namazi nuk vlen, siç do ta shohim më pas.

Kështu që sikur ata ti falnin teravitë me numrin e përcjellë nga suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjatë të njëjtës periudhë kohore në të cilën ata falin njëzetë rekate, atëherë namazi i tyre do të ishte i saktë dhe i pranuar, sipas mendimit të të gjithë dijetarëve. Këtë e përforcon edhe hadithi i transmetuar nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili ka thënë: E pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se cili namaz është më i miri? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ai me qëndrim sa më të gjatë në këmbë”.

Prandaj, kapuni për sunetin e të Dërguarit tuaj (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), o ju muslimanë! Shtrëngojeni fortë me dhëmballë atë, sepse “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “.

 


 

  1. Ringjallja e sunetit nga Umeri në faljen e teravive me xhemat dhe urdhëri i tij që ato të falen me njëmbëdhjetë rekate

 

Përmendëm pak më parë se pas vdekjes së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njerëzit vazhduan ta falin namazin e teravive në xhami të shpërndarë në grupe, ku secili grup falej pas një imami. Kjo gjë vazhdoi kështu gjatë kohës së qeverisjes së Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe në fillimet e kohës së Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Pastaj Umeri i bashkoi ata pas një imami të vetëm, siç tregon Abdurrahman ibën Abdulkaari’ në një ether sahih: “Dola me Umer ibën el Hatab një natë Ramazani dhe shkuam në xhami. Aty njerëzit ishin të ndarë dhe nëse dikush falej për vete, pas tij faleshin disa njerëz (nga tre deri në dhjetë vetë). Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “Betohem për Allahun! Sikur ti bashkoja këta pas një lexuesi (imami) të vetëm, kjo do të ishte më e mira.” -Pastaj vendosi dhe i bashkoi ata pas Ubej ibën Keab. -Thotë: Më pas dola me të një natë tjetër dhe njerëzit ishin duke u falur pas lexuesit (imamit) të tyre (një imami të vetëm). Umeri tha: “Kjo është mirësia e risisë (bidatit) dhe koha në të cilën ata flenë është më  e mirë se koha në të cilën ata falen –ka për qëllim pjesën e fundit të natës, ndërsa njerëzit i falnin teravitë në fillim të saj-”

Këtë ether e transmeton Maliku në “El Muata” dhe nga ai e ka transmetuar Buhariu dhe El Ferjabi. Ndërsa Ibën Ebu Shejbe e transmeton të ngjashëm me të, por pa fjalën “Kjo është mirësia e bidatit”. Ndërsa tek Ibën Seadi dhe El Ferjabi gjendet një rrugë tjetër e këtij etheri me shprehjen: “Nëse është kështu, atëherë kjo është mirësia e bidatit”. Transmetuesit e kësaj rruge transmetimi janë të besueshëm, përveç Neufel ibën Ijas, për të cilin hafiz Ibën Haxheri në librin “Et Takrib” thotë: “I pranuar”, d.m.th: nëse ndiqet nga të tjerë, përndryshe ai është i butë (i dobët) në hadith, siç e ka përmendur Ibën Haxheri në parathënien e tij.

Dije se në mesin e disa dijetarëve të vonshëm është përhapur të argumentuarit për dy çështje, me fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Kjo është mirësia e bidatit”:

E para: Të bashkuarit në faljen e namazit të teravive është bidat i cili nuk ka qënë në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Sigurisht që ky është një gabim i madh dhe nuk do ta zgjasim fjalën për sqarimin e tij, por na mjafton si argument për rrëzimin e tij, hadithet e mësipërme për faljen e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkë me njerëzit në tre prej netëve të Ramazanit dhe nëse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë faljen e tyre me xhemat në netët e tjera, këtë e ka bërë nga frika se namazi i natës bëhej i detyrueshëm mbi muslimanët.

E dyta: Prej bidateve ka edhe të mira dhe me fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ata kanë specifikuar domethënien e përgjithshme të fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Çdo bidat është humbje”, si dhe hadithe të tjera të ngjashme me të.

Por edhe kjo është diçka e rrëzuar dhe e pavlefshme, sepse hadithi vazhdon të qëndrojë në përgjithshmërinë e  tij, siç do ta shohim në broshurën e veçantë për bidatin, ndërsa fjala e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Kjo është mirësia e bidatit” , ai nuk ka pasur për qëllim me të kuptimin e bidatit në sheriat, i cili është “shpikja e diçkaje në Fe, pa ndonjë shembull të mëparshëm”, ndërsa Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) siç e pamë, nuk shpiku gjë të re, por ai ringjalli më shumë se një sunet të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ndërsa këtu, ai ka pasur për qëllim njërën prej domethënieve gjuhësore të bidatit e cila është gjëja e re që nuk ka qënë e njohur pak para kryerjes së saj, dhe nuk ka dyshim se falja e namazit të teravive me xhemat pas një imami të vetëm, nuk ka qënë e njohur dhe e vepruar në kohën e qeverisjes së Ebu Bekrit dhe në një pjesë prej qeverisjes së Umerit.

Parë nga ky këndvështrim, kjo gjë ka qënë e re, por nëse do të vështronim nga ana e përputhshmërisë së saj me veprën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ajo është sunet dhe nuk është bidat, dhe pikërisht për këtë, Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e quajti atë të mirë.

Kështu vazhduan ta komentojnë dijetarët fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). P.sh: Es Subki –Abdulvehab-, në librin “Ndriçimi i kandilave për namazin e teravive” (1/168) thotë: Ibën Abdulberr ka thënë: “Umeri nuk ka bërë rrugë tjetër në këtë gjë përveç asaj që ka bërë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Atë që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e donte, e pëlqente dhe që nuk e pengoi nga vazhdueshmëia e saj veçse frika se bëhen të detyruara mbi popullin e tij, ndërsa ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qënë i butë dhe i mëshirshëm me besimtarët. Ndërsa Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e njihte këtë gjë të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e dinte se namazet farze nuk mund të shtoheshin e as të pakësoheshin pas vdekjes së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kështu që ai e bëri të ligjshme atë për njerëzit, e ringjalli atë sunet dhe urdhëroi që të zbatohej. Kjo ka qënë në vitin e katërmbëdhjetë pas hixhretit (emigrimit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine). Këtë gjë Allahu e kishte ruajtur për Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe e bëri atë të shquar me të, duke mos ia inspiruar atë Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) edhe pse ai ka qënë më i mirë dhe i pari në çdo punë të mirë përgjithësisht, por secili prej tyre ka pasur vlera të veçanta të cilat nuk i ka pasur shoku i tij.

Es Subki thotë: “Sikur kjo gjë të mos ishte diçka e duhur dhe e kërkuar, ajo do të ishte bidat i shëmtuar, njësoj si namazi i dëshirave që bëjnë (sufitë) në mesin e muajit Shaban dhe në xhumanë e parë të muajit Rexheb, kështu që mohimi dhe rrëzimi i kësaj (i mohimit të faljes së namazit të teravive me xhemat) duhet të ishte i detyrueshëm dhe nga gjërat që duhet të njihen detyrimisht në Fe.”

Ndërsa dijetari i madh Ibën Haxher el Hejtemi, në fetvatë e tij thotë tekstualisht kështu: “Nëse nxjerja e çifutëve dhe e të krishterëve nga Gadishulli Arabik, si dhe luftimi i turkëve ka qenë e urdhëruar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ajo nuk ka qenë bidat edhe pse në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kjo gjë nuk është bërë.

Ndërsa fjala e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për namazin e teravive: “Kjo është mirësia e bidatit”, me këtë fjalë ai ka pasur për qëllim kuptimin gjuhësor të tij, d.m.th: diçka e bërë në një formë të panjohur më parë, që nuk ka shembull të mëparshëm, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Unë nuk jam ndryshe (gjë e re) nga të Dërguarit e tjerë” [El Ahkaf: 9].

Dhe kurrësesi nuk është fjala e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) bidat në Sheriat, sepse bidati në Sheriat është humbje, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Ndërsa ata dijetarë të cilët e kanë ndarë bidatin në të mirë e jo të mirë, ata kanë ndarë bidatin në kuptimin gjuhësor, ndërsa ata të cilët thonë se çdo bidat është humbje, ata kanë për qëllim bidatin në Sheriat. A nuk e sheh se sahabet dhe pasardhësit e tyre e refuzuan thirrjen e ezanit veçse për pesë namazet dhe nuk e lejuan atë për dy bajramet, edhe pse për këtë gjë nuk ka ardhur ndonjë ndalesë. Po kështu, ata e kanë urryer përshëndetjen e dy këndeve të Keabes që janë nga ana e Shamit, si dhe të falurit pas ecjes ndërmjet Safas dhe Mervas, duke e krahasuar atë me dy rekatet pas bërjes së tavafit.

Po kështu, çdo gjë të cilën i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë pa vepruar, duke qënë se nevoja për njohjen e tyre ka qënë e domosdoshme, kjo do të thotë se të lënurit e saj është sunet, ndërsa kryerja e saj është bidat i shëmtuar.

Me fjalën: “duke qënë se nevoja për njohjen e tyre ka qënë e domosdoshme në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“, përjashtohet nxjerja e çifutëve dhe mbledhja e Kuranit, si dhe ato gjëra të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka lënë pa vepruar për shkak të diçkaje që ka qenë pengesë, si falja e teravive me xhemat, ndërsa nevoja e plotë fut në të rastet kur nuk ka pengesë.

 


 

Urdhëri i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për të falurit  e teravive me njëmbëdhjetë rekate

 

Urdhëri i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për faljen e teravive me njëmbëdhjetë rekate është transmetuar nga imam Maliku në “Muata” (1/137, nr. 248) nga Muhamed ibën Jusuf: Nga Es Saib ibën Jezid, se ka thënë: “Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e urdhëroi Ubej ibën Keab-in dhe Temim ed Dari që të faleshin me njerëzit (t’i prinin në namazin e teravive) dhe të falnin njëmbëdhjetë rekate. –Thotë (transmetuesi): Imami në atë kohë lexonte dyqind ajete (në një rekat) saqë mbështeteshim në shkop (bastun) nga qëndrimi i gjatë në këmbë dhe nuk e mbaronim namazin veçse në prag të agimit.”

Senedi i këtij shumë i saktë. Ndërsa Ibën Is’haku thotë: “trembëdhjetë rekate”. Kështu e ka transmetuar edhe Ibën Nasr në librin “Namazi i natës” (f.91), pastaj shtoi: “Ibën Is’haku thotë: “Kjo që kam dëgjuar për këtë (d.m.th. numrin e rekateve të namazit të natës në muajin e ramazanit) është më e qëndrueshmja gjë për mua dhe nuk ka hadith më të saktë se ai i Es Saibit, dhe kjo sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte zakon që natën të falte trembëdhjetë rekate.”

Them (shejh Albani): Ky numër “trembëdhjetë rekate”, të cilin e ka zgjedhur Ibën Is’haku dhe i cili përputhet me transmetimin tjetër të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për namazin e natës të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Ramazan dhe në një transmetim tjetër ajo sqaroi se dy rekate prej tyre kanë qenë sunetet e sabahut, kështu që transmetimin e Ibën Is’hakut mund ta kuptojmë sipas këtij transmetimi dhe kështu ai përputhet me transmetimin e shumicës.

Prej kësaj që u tha deri më tani, kuptohet se fjala e Ibën Abdulberr-it: “nuk di të ketë thënë ndokush se namazi i teravive është me njëmbëdhjetë rekate, përveç Malikut”, kjo fjalë duket qartë që është e gabuar. Madje El Mubarekfuri në librin “Tuhfetu el Ehvedhi” (i cili është shpjegim i suneneve të Tirmidhiut), ka thënë: “Ky është një pretendim i pavlefshëm dhe i paqëndrueshëm”. Për këtë shkak e ka kundërshtuar atë Ez Zerkani në “Shpjegimin e Muatas”, me fjalën e tij: “Nuk është ashtu si thotë ai, sepse atë e ka transmetuar gjithashtu Seid ibën Mensur me rrugë tjetër transmetimi; nga Muhamed ibën Jusuf  dhe ka thënë: “njëmbëdhjetë rekate” ashtu si ka thënë Maliku.”

Them: Senedi i këtij hadithi është në kulmin e saktësisë, siç ka thënë Es Sujuti në “El Mesabih – Kandilat” dhe vetëm kjo do të mjaftonte si kundërpërgjigje e fjalës së Ibën Abdulberr-it, por si mund të thuhet kur kësaj i janë bashkangjitur të gjitha ato hadithet përforcuese dhe me rrugë të ndryshme, të cilat nuk kam parë t’i ketë mbledhur njeri tjetër para meje dhe falenderoj Allahun për suksesin që më ka dhënë në këtë gjë.

 


 

Fjala se Umeri i ka falur teravitë me njëzet rekate, nuk qëndron. Verifikimi i njoftimeve të ardhura për këtë fjalë dhe sqarimi i dobësisë së saj

 

Transmetimit të saktë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk lejohet ti kundërvihesh me atë që ka transmetuar Abdurrazaku me rrugë tjetër transmetuesish; nga Muhamed ibën Jusuf, me shprehjen: “njëzet e një rekate” për shkak të shfaqjes së këtij gabimi nga dy këndvështrime:

I pari: Kundërshtimi që i bën ai transmetimit të transmetuesëve të besueshëm që paraqitëm më sipër, me shprehjen “njëmbëdhjetë rekate”.

I dyti: Abdurrazaku është veçuar me transmetimin e tij me këtë shprehjen dhe nëse ajo shprehje nuk është ndryshuar nga transmetuesit që janë ndërmjet tij dhe Muhamed ibën Jusuf, atëherë defekti qëndron tek ai, d.m.th. te Abdurrazaku, sepse megjithëse ai është i besueshëm, hafiz dhe shkrimtar i njohur, por ai nga fundi i jetës së tij u sëmur dhe ndryshoi, siç thotë Ibën Haxheri në “Et Takrib” dhe për këtë shkak Ebu Umer ibën Es Salah e ka llogaritur atë në mesin e atyre të cilët janë ngatërruar nga fundi i jetës së tyre. Në parathënien e librit “Ulumul hadith”, ai thotë: “Ahmed ibën Hanbel ka thënë se ai u verbua nga fundi i jetës së tij dhe i diktonin të tjerët, ndërsa ai e përsëriste pas tyre, kështu që dëgjimi i atyre që e kanë dëgjuar atë pas të verbuarit të tij nuk është asgjë.

Ndërsa En Nesai thotë: “Transmetimi i atyre që kanë marrë prej tij nga fundi i jetës së tij duhet parë mirë.” Ndërsa në parathënien e të njëjtës temë ai thotë: “Gjykimi për ata (të pështjelluarit) është se transmetimi i atyre që kanë marrë nga ata pranohet nëse ka qënë para pështjellimit, por nëse ka qënë pas tij, atëherë hadithi i tyre nuk merret. Po kështu edhe transmetimi i atij që dyshon nëse e ka marrë para apo pas pështjellimit (hadithi i tij nuk merret).”

Them: Ky ether është prej llojit të tretë, d.m.th: se nuk dihet nëse ai e ka thënë atë para apo pas pështjellimit, kështu që ai nuk pranohet dhe kjo nëse ai do të ishte pa defekte të tjera, si kundërshtimi i transmetimeve të sakta e të forta, por ç’mund të thuhet kur ai i ka edhe ato?!

Nëse thuhet: El Ferjabi ka transmetuar në librin “Agjërimi” (1/76) dhe El Bejhaki në “Es Sunen” (2/496); nga transmetimi i Jezid ibën Hasife: Nga Es Saib ibën Jezid, ka thënë: “Në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), në muajin e Ramazanit faleshin njëzetë rekate namaz nate. -Thotë: Imamët lexonin dyqind ajete (në një rekat) dhe në kohën e Uthmanit njerëzit mbështeteshin mbi shkopinj nga qëndrimi i gjatë në këmbë.”

Them: Ky transmetim me shprehjen “njëzetë rekate” është pikëmbështetja e atyre të cilët thonë se namazi i teravive me njëzetë rekate është i ligjshëm. Sipas asaj që duket, senedi i këtij etheri është i saktë (sahih) dhe për këtë shkak, disa dijetarë e kanë konsideruar të saktë atë. Por në të vërtetë ai ka një defekt (sëmundje të padukshme – ileh), madje disa defekte, gjë e cila e bën të ndaluar fjalën se ai është i saktë dhe e bën atë të dobët e të refuzuar. Shpjegimi i kësaj është nga disa këndvështrime:

Së pari: Ibën Hasife, edhe nëse është i besueshëm, por imam Ahmedi në një transmetim nga ai ka thënë: “hadithi i këtij është i refuzuar”. Për këtë shkak e ka përmendur atë edhe Dhehebiu në “El Mizan”. Në fjalën e Ahmedit kuptohet që Ibën Hasife mund të veçohet me diçka të cilën nuk e kanë transmetuar të besueshmit dhe dikujt si ai i kthehet hadithi nëse ai kundërshton dikë më të ditur se ai, duke u konsideruar anormal, siç është theksuar në “Terminologjinë e hadithit”.

Edhe etheri që kemi në duar është pikërisht i këtij lloji. Ai sillet rreth Es Saib ibën Jezid, nga i cili e ka përcjellë Muhamed ibën Jusuf dhe Ibën Hasife, të cilët janë kundërshtuar në numrin e teravive; i pari thotë “njëmbëdhjetë” dhe tjetri thotë “njëzetë e një” rekate. Por më e saktë është fjala e të parit sepse ai është më i fortë dhe më i besueshëm se tjetri. Ibën Haxheri e ka cilësuar atë me fjalët: “thikatun thebt – i besueshëm, i fortë, i vendosur”, ndërsa për tjetrin është mjaftuar me fjalën “Thikah – i besueshëm”.

Ky dallim konsiderohet prej pikëve në paraprirje në rast kundërshtimi, gjë të cilën e njohin specialistët e kësaj shkence fisnike.

Së dyti: Ibën Hasife është ngatërruar në transmetimin e tij, për numrin e rekateve të vitrit. Ismail ibën Umeje thotë se Muhamed ibën Jusuf, djali i motrës së Es Saib ibën Jezid i ka treguar atij; (shejh Albani thotë: pastaj përmendi transmetim të njëjtë me atë të Malikut nga Ibën Jusuf, pastaj Ibën Umeje tha): “Ose njëzetë e një rekate.”

Thotë (d.m.th: Muhamed ibën Jusuf): Këtë ai e ka dëgjuar nga Es Saib ibën Jezid –ibën Hasife. Pyeta (pyetësi është Ismail ibën Umeje) Jezid ibën Hasife dhe ai tha: “Mendoj se Es Saibi tha: Njëzetë e një rekate.”

Them: Senedi i këtij etheri është i saktë.

Por fjala e tij “njëzetë e një rekate”, në këtë transmetim bie në kundërshtim me fjalën e tij, në transmetimin e mësipërm: “njëzetë rekate”. Dhe fjala e tij “mendoj” është argument për të ngatërruarit e Ibën Hasife dhe se ai e transmetonte duke mos qenë i sigurtë, sepse ai nuk e ka pas mësuar mirë atë dhe vetëm kjo do të mjaftonte për të rrëzuar të argumentuarin me këtë transmetim, por si do të thuhej kur ai kundërshton dikë që është më i ditur se ai, si në këndvështrimin e parë?!

Këtë e përforcon gjithashtu këndvështrimi i mëposhtëm:

Së treti: Muhamed ibën Jusuf është djali i motrës së Es Saib dhe ai e di më mirë se të tjerët këtë transmetim, kështu që numri që thotë ai është më parësor për tu marrë për bazë sesa numri i kundërshtarit të tij, Ibën Hasife. Këtë e përforcon gjithashtu përputhshmëria e tij me hadithin e transmetuar nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate (në namazin e natës), kështu që mbartja e veprës së Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në përputhshmëri me sunetin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më e mirë dhe më parësore sesa mbartja e saj në kundërshtim me sunetin. Kjo është diçka e dukshme dhe e qartë –insha Allahu-.

I njëjtë në dobësi me këtë transmetim është transmetimi që ka përmendur Ibën Abdulberr, i cili thotë: El Harith ibën Abdurrahman ibën Ebu Dhubab transmeton nga Es Saib ibën Jezid, se ai ka thënë: “Namazi i natës (i teravive) në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ishte me njëzetë e tre rekate.”

Them (shejh Albani): Ky ether është i dobët, sepse Ibën Ebi Dhubab është i dobët në të mbajturit përmendësh. Ibën Ebi Hatim në librin “El Xherh uet Teadil” thotë: “Babai im ka thënë: “Ed Daraverdi transmeton hadithe të refuzuara dhe ai nuk është i fortë, megjithatë hadithi i tij mund të shkruhet.”

Ndërsa Ebu Zur’ah thotë: “Nuk është edhe aq i keq.”

Them: Për këtë shkak, imam Maliku nuk mbështetej tek ai, siç thuhet në “Et Tehdhib” të Ibën Hxherit. Ndërsa në “Et Takrib” ai thotë: “Ai është “saduk” – që mund të besohet”.

Them: Transmetimi i të atillëve si ai nuk vlen për argument, për shkak të ngatërresës së tij, veçanërisht kur ai kundërshton dikë që është i besueshëm e i fortë në transmetim, si Muhamed ibën Jusuf, i biri i motrës së Es Saib, i cili thotë: “Njëmbëdhjetë rekate”, siç e pamë më parë.

Megjithëse ne nuk e dimë nëse zinxhiri i transmetuesëve të kësaj fjale të Ibën Abdulberrit është i saktë, sepse libri i tij nuk gjendet në duart tona, në mënyrë që të ktheheshim tek ai dhe të studionim të gjithë transmetuesit e tij, nëse ai i ka pas përmendur ata.

I njëjtë me këtë transmetim në dobësi është gjithashtu transmetimi i Jezid ibën Ruman, i cili thotë: “Në kohën e Umer ibën Hatabit njerëzit i falnin teravitë me njëzetë e tre rekate.”

Këtë e ka transmetuar Maliku dhe nga ai El Ferjabi dhe El Bejhaki në “Es Sunen”. Dobësia e këtij transmetimi qëndron në faktin se Jezid ibën Ruman nuk e ka arritur Umer ibën Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Po kështu e ka konsideruar atë të dobët, imam Neveviu në librin “El Mexhmu” (4/33), ku thotë: “Këtë e transmeton Bejhakiu por ai është “mursel”, sepse Jezid ibën Ruman nuk e ka arritur Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).”

Edhe El Ajni e ka konsideruar të dobët atë, duke thënë në librin “Umdetul Karii Sherh Sahih el Buhari” (5/357): “Senedi i këtij etheri është i ndërprerë.”

Kështu që ky transmetim është i dobët për shkak të ndërprerjes së tij mes Ibën Rumanit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe në të nuk ka argument të vlefshëm, aq më tepër kur ai kundërshton transmetimin e saktë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku ai urdhëron Ubej ibën Keab dhe Temim Ed Dari që teravitë ti falin me njëmbëdhjetë rekate. Këtë e ka nxjerrë Maliku në “Muata”.

Etheri i mësipërm bie gjithashtu në kundërshtim me hadithin e saktë që është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

 


 

Imam Shafiu dhe Tirmidhiu e konsiderojnë të dobët transmetimin nga Umeri, ku teravitë përmenden me njëzet rekate

 

Imam Tirmidhiu, në “Sunenet” e tij (2/74) bën shenjë se numri i njëzet rekateve nuk është i qëndrueshëm nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), duke thënë: “Kështu është përcjellë edhe nga Aliu, Umeri e të tjerë nga shokët e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kështu thotë edhe imam Shafiu për njëzetë rekatet e përcjella nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), siç e ka përcjellë autori i “El Muzeni”, në shkurtimin e tij (1/107).

Fjala e atyre të dyve: “është përcjellë” konsiderohet dobësim nga ata të dy për atë që është përcjellë, siç është e njohur tek dijetarët e hadithit.

Imam Shafiu dhe Tirmidhiu janë prej atyre dijetarëve verifikues të cilat i ka pasur për qëllim Neveviu me fjalën e tij në librin “El Mexhmu” (1/63), ku thotë: “Dijetarët verifikues prej dijetarëve të hadithit e të tjerë thonë: “Nëse hadithi është i dobët, nuk thuhet që atë e ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo e ka vepruar ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo që ka urdhëruar a ndaluar nga ajo, e të ngjashme me këto prej shprehjeve të prera. Po kështu nuk thuhet as për sahabet e as për tabiinët e pasardhësit e tyre, për një transmetim që është i dobët. Në këto raste nuk përdoren shprehjet e prera, por thuhet: “është përcjellë nga ai”, apo “është transmetuar”, ose “është thënë”, ose “na është përcjellë nga ai”, ose “thuhet”, ose “përmendet”, ose “i mvishet”, e të tjera si këto që janë shprehje që tregojnë mëdyshje apo pasiguri dhe jo shprehje të prera.

Dijetarët thonë: Shprehjet e prera përdoren në hadithet e sakta apo të mira, ndërsa shprehjet e sëmura përdoren për transmetimet e dobëta. Kjo sepse shprehja e prerë tregon saktësinë e fjalës së përcjellë nga thënësi i saj, kështu që nuk bën të përdoret vetëm në transmetimet e sakta, përndryshe njeriu do të jetë prehë e gënjeshtrës ndaj tij. Kjo pikë i ka munguar autorit dhe shumicës së dijetarëve të fikhut, madje shumicës së dijetarëve të të gjitha shkencave përgjithësisht, përveç dijetarëve ekspertë të hadithit. Por kjo është një nënvlerësim i shëmtuar sepse ata shpeshherë në transmetimin e ndonjë hadithi të saktë thonë: “është përcjellë, apo thuhet”, ndërsa në hadithin e dobët thonë: “ka thënë, apo ka përcjellë filani”, gjë kjo e cila është larg të saktës.

 


 

Këto transmetime nuk e përforcojnë njëri-tjetrin

 

Dikush mund të thotë: “E pranojmë që secili prej këtyre transmetimeve më vete është i dobët, por a nuk e forcojnë ato njëri-tjetrin për shkak të numrit të tyre?”

Unë them: “Jo”, dhe kjo e parë nga dy këndvështrime:

Së pari: Ky numër i madh mund të jetë formal dhe jo i vërtetë, sepse ne nuk kemi veçse transmetimin e Es Saib ibën Jezid, i cili është i lidhur (pa shkëputje ndërmjet transmetuesëve) dhe transmetimin e Jezid ibën Ruman dhe Jahja ibën Seid, i cili është i ndërprerë dhe ka mundësi që subjekti i këtij transmetimi të jetë rreth njërit prej transmetuesëve të transmetimit të parë, ashtu si dhe ka mundësi që subjekti i tij të jetë rreth ndonjë tjetri, siç do ta shohim më pas. Kështu që, përderisa ekzistojnë disa mundësi, atëherë argumentimi me të rrëzohet.

Së dyti: E vërtetuam më parë se transmetimi i Malikut nga Muhamed ibën Jusuf, të besueshmit dhe të fortit në transmetim; nga Es Saib, ku thuhet se ato kanë qenë “njëmbëdhjetë rekate”, ky është transmetimi i saktë dhe kush e ka kundërshtuar Malikun në këtë transmetim, ai ka gabuar. Po kështu edhe Ibën Hasife dhe Ibën Ebu Dhubab të cilët kanë kundërshtuar Muhamed ibën Jusuf; transmetimi i tyre është anormal dhe sipas neneve të shkencës së hadithit, hadithi anormal (esh shadh) është i refuzuar dhe i kthyer mbrapsht, sepse ai është i gabuar dhe gabimi nuk mund të forcohet me gabim tjetër. Ibën Es Salah në parathënien e librit të tij “Terminologjia e Hadithit” (f. 86), thotë: “Nëse transmetuesi veçohet me diçka nga të tjerët, vështrohet; nëse ajo me të cilën ai është veçuar është në kundërshtim me atë që ka transmetuar dikush tjetër më i fortë se ai në transmetim, atëherë ajo me të cilën ai është veçuar është anormale, e kthyeshme, ndërsa nëse nuk kundërshton ndonjë transmetim tjetër, por e ka transmetuar vetëm ai; nëse ai është i drejtë, i fortë në memorje, i besueshëm në përpikmërinë dhe saktësinë e tij, para se të veçohej me një transmetim, (atëherë pranohet prej tij).

Por nuk ka dyshim se transmetimi në fjalë është prej llojit të parë, sepse transmetuesi i tij ka kundërshtuar atë që është më i fortë se ai, kështu që ajo kthehet mbrapsht.

Është e qartë se shkaku i refuzimit të dijetarëve transmetimin anormal është shfaqja e gabimit të tij si rrjedhojë e kundërshtimit të përmendur. Dhe sigurisht që nëse vërtetohet gabimi i një transmetimi, nuk është e logjikshme që ai të forcohet me transmetim tjetër me të njëjtin kuptim. Kështu vërtetohet se transmetimi anormal dhe i refuzuar nuk është i vlefshëm për argumentim dhe mbështetje në të, madje ekzistenca apo mosekzistenca e tij janë njësoj.

Përveç kësaj, për transmetimet e ndërprera të secilit prej Jezid ibën Ruman dhe Jahja ibën Seid El Ensari, nuk lejohet të thuhet se ato forcojnë njëri-tjetrin, sepse kushti i kësaj është që ata të dy ta kenë marrë nga dy persona të ndryshëm, të cilët në fakt ata i kanë rrëzuar (nuk i kanë përmendur), gjë e cila nuk qëndron në këtë rast, sepse që të dy transmetuesit; Jezidi dhe Ibën Seidi janë medinas, kështu që ajo që shkon në mendje më shumë është se që të dy ata e kanë transmetuar atë nga i njëjti person, të cilin nuk e kanë përmendur dhe ka mundësi që ai të jetë i panjohur apo i dobët, që nuk vlen për argumentim. Si dhe ka mundësi që ata ta kenë përcjellë transmetimin e tyre nga dy persona të ndryshëm, por që të dy ata të kenë qënë të dobët. Po ashtu ka mundësi që ata dy të jenë vetë Ibën Hasife dhe Ibën Ebu Dhubab, sepse që të dy ata janë medinas dhe në këtë transmetim ka gabim. Prej këtu, transmetimi i Jezidit dhe Ibën Seidit është i gabuar. Të gjitha këto janë të mundshme dhe nëse ekzistojnë disa mundësi (d.m.th: nëse mungon siguria), atëherë argumentimi me këtë transmetim rrëzohet.

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët janë kundërshtuar për pranimin apo jo të transmetimeve “mursele – me sened të ndërprerë” dhe më e sakta është se ka prej tyre që pranohen, ashtu si ka prej tyre që kthehen mbrapsht, apo që janë të ngrira … Ato transmetime të atilla që kundërshtojnë atë që kanë transmetuar të besueshmit, kthehen mbrapsht. Por nëse transmetimi “mursel” vjen me dy rrugë të ndryshme transmetuesish, kjo tregon sinqeritetin e të parit dhe zakonisht nuk mund të përfytyrohet gabimi në të.”

Pakujdesia ndaj këtij kushti i ka futur disa prej dijetarëve të mëdhenj që të konsiderojnë të sakta disa tregime të cilat duket qartë se janë të pasakta.

Këto duhet të kihen mirë parasysh, sepse këto që kam përmendur këtu për transmetimet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thuhen edhe në transmetimet e mëposhtme nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e të tjerë, të cilave u shtohet se disa prej tyre janë shumë të dobëta, siç është rruga e dytë e transmetuesëve nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e cila nuk vlen për të përforcuar rrugën e parë.

Kujtoje këtë sepse ajo do të të bëjë dobi –inshaAllahu-!

 


 

Të bashkuarit në mënyrë të saktë ndërmjet dy transmetimeve nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

 

Nëse lexuesit i bëhet e qartë dobësia e këtij transmetimi nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), atëherë nuk është nevoja që të bashkojmë mes tij dhe transmetimit të saktë nga ai (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Jo ashtu si kanë bërë disa të cilët thonë: “Në fillim ata faleshin me njëmbëdhjetë rekate dhe më pas falnin njëzetë rekate teravi dhe tre rekate të vitrit”, sepse ne themi se të bashkuarit mes dy transmetimeve është i nevojshëm nëse të dy ato janë të sakta, por në këtë rast ato janë të pasakta, kështu që nuk është nevoja dhe nuk vlen bashkimi i përmendur, megjithëse edhe ky lloj bashkimi mes tyre mund të hidhet poshtë. El Mubarekfuri (në shpjegimin e Suneneve të Tirmidhiut: 2/76), pas përmendjes së bashkimit të mësipërm thotë: “Them: Këtu dikush tjetër mund të thotë se në fillim falnin njëzetë rekate dhe më pas falnin njëmbëdhjetë rekate, gjë e cila është më pranë të vërtetës sepse kjo përputhet me veprën e transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prandaj medito!”

Sikur të supozonim se numri “njëzet rekate” është i saktë, ai ka pasur një shkak të caktur i cili më pas kaloi: 

Sikur të supozonim se ndokush nuk është bindur me sqarimin e mësipërm për dobësinë e “njëzet e rekateve”, të transmetuara nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ne do të thoshim se prej kësaj nuk rrjedh të kapurit detyrimisht me këtë numër dhe të lëmë atë që është përcjellë saktë në sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për faljen e teravive me njëmbëdhjetë rekate, aq më tepër të quhej i dalë nga xhemati ai që vepron sipas këtij suneti, pasi që të kapurit pas një diçkaje është diç më tepër se thjesht të vepruarit e saj dhe në rastin tonë, vepra e Umerit do të tregonte ligjshmërinë e të falurit me njëzetë rekate dhe asgjë më tepër, sepse ajo është përballë veprës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e cila e kundërshton atë për nga numri i rekateve. Kështu që nuk lejohet mospërfillja e veprës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kthimi i shpinës asaj për t’u kapur pas veprës së Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por më e shumta që mund të përfitohet nga kjo është të lejuarit e marrjes së tij për shembull, duke qenë të bindur se marrja për shembull veprën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më parësore dhe më e mirë. Kjo është diçka për të cilën nuk duhet të dyshojë askush që ka logjikë.

E gjitha kjo do të thuhej nëse supozonim se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka shtuar në numrin që ka ardhur nga suneti, duke u nisur nga fjala se nuk ekziston ndonjë ndalesë për të shtuar në të, siç thonë disa dhe ua kthyem përgjigjen më parë, por nëse Umeri nuk e ka bërë këtë për këtë arsye, por për shkak të lehtësuarit për njerëzit qëndrimin e gjatë në këmbë që bënte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në namazin e teravive, siç kanë thënë disa dijetarë se numri i shtuar i rekateve ka qënë për të kompensuar qëndrimin e gjatë në këmbë.

Them: Sikur Umeri ta kishte bërë këtë shtim në numrin e rekateve duke pakësuar të lexuarit e Kuranit në to, ai do kishte arsye të forta për ta justifikuar atë në atë kohë, pasi që megjithatë, në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) njerëzit nuk e përfundonin namazin e teravive veçse në prag të agimit, siç e pamë më parë. Gjithashtu, në këtë lehtësim të supozuar, imami i tyre lexonte njëzet-tridhjetë ajete në një rekat dhe nuk bënin dallim ndërmjet rukneve (shtyllave) të namazit për nga gjatësia e tyre, por aq sa qëndronin në këmbë, qëndronin edhe në ruku, edhe në sexhde si dhe ndërmjet tyre. Ata i zgjasnin ato duke i bërë thuajse të barabarta me njëra tjetrën dhe bënin shumë tesbih e dua në to, siç është suneti për të gjitha këto.

Ndërsa sot nuk ekziston ndonjë lexim i gjatë që të mund të lehtësohej dhe të kompensohej me shtimin e numrit të rekateve. Shumica e imamëve sot lexojnë aq shkurt në namazin e teravive, saqë sikur tu thuhej atyre: “lehtësojeni pak leximin”, ata nuk do të mundeshin vetëm nëse do ta linin krejt leximin pas Fatihasë! Ose do të mjaftoheshin me ajete të tilla si “Mud-hemmetani” [Nga sureja Rrahman]”. Madje më kanë thënë se dikush prej tyre e ka bërë një gjë të tillë.

Sures “Fatiha”, që ata lexojnë, i ka ikur leximi i saktë dhe ëmbëlsia për shkak të shpejtësisë në të lexuarit e saj, saqë shumë prej tyre e lexojnë atë me një frymë të vetme, duke kundërshtuar hapur sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili e lexonte atë ajet-ajet.[8]

Nëse në mesin e imamëve do të gjeje ndokënd që e zgjat paksa leximin e Kuranit në namazin e teravive, por për mosbarazimin ndërmjet rukneve të namazit, të gjithë ata kanë rënë dakord, megjithëse të qenurit e kësaj sunet është përcjellë me hadithe të shumta, prej të cilave është edhe hadithi i Hudhejfe ibën el Jeman të cilin e pamë më parë.

Them (shejh Albani): Aktualiteti në të cilin gjendet sot shumica e muslimanëve –me sa di unë-, e bën të pavlefshme arsyen për të cilën janë shtuar rekatet e namazit të teravive dhe bashkë me rrëzimin e saj rrëzohet edhe të falurit e teravive me njëzet rekate, kështu që bëhet e detyrueshme të kthyerit tek numri i ardhur në sunetin e saktë, të kapurit për të dhe të mos shtohet në të, duke i nxitur njerëzit që ta zgjasin leximin e Kuranit në namaz dhe të bëjnë sa më shumë tesbih e dua në ruku e në sexhde sa të jetë e mundur, sepse kështu ata marrin për shembull të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të parët e mirë të këtij populli (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

Besoj se ky realitet do të nxisë aq sa të dojë Allahu prej mendimtarëve rregullues, të cilët do të përkrahin mendimin tonë për domosdoshmërinë e të kthyerit tek suneti në namazin e teravive, si nga sasia ashtu edhe nga cilësia.

Kështu kanë vepruar edhe në një çështje tjetër më të rëndësishme se kjo për nga rrjedhoja dhe ndikimi i saj në shoqëri, si dhe nga të shfaqurit e saj në kundërshtim me fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ajo çështje është të llogariturit e divorcit të burrit i cili e shpreh atë tre herë (në një vend dhe në një kohë), për një herë e vetme. Ndërkohë që dihet se jo para shumë kohësh, kjo llogaritej tre divorce (divorc i pakthyeshëm, ku burrit nuk i lejohet më ajo grua, vetëm nëse ajo martohet me një burrë tjetër, pastaj ndahet prej tij për shkaqe të konsiderueshme). Mbështejta e tyre për këtë ka qënë përputhja e librave të katër medh’hebeve të cilët kanë ndjekur fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), duke e ditur se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e llogariste atë si një divorc të vetëm.[9]

Ndërsa sot ata e lënë këtë vepër të Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) megjithëse ajo është përcjellë nga ai dhe është e sigurtë se ai e ka bërë atë, për arsye se panë që kjo gjë në kohën tonë bie tek njerëzit ndryshe nga çka qenë në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kështu që ata u kthyen te suneti pasi që iu bë e qartë se përmirësimi i kërkuar nuk mund të arrihet veçse me të. Për tu habitur është fakti që shumë prej tyre, deri para pak kohësh e luftonin Ibën Tejmijen (Allahu e mëshiroftë!) me një armiqësi të fortë dhe e shanin atë me shprehjet më të shëmtuara për shkak të gjykuarit e tij sipas këtij suneti dhe lënies së fjalës së Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), madje për këtë arsye ata e konsideronin atë të dalë nga xhemati![10]

Ndërsa sot ata gjykojnë sipas asaj, thënësin e së cilës dje e quanin të dalë nga feja. Kjo sepse ata nuk e njohin të kthyerit tek suneti dhe të vepruarit sipas tij për faktin se kjo është e detyrueshme për ta, por për shkak të ndikimeve të jashtme të aktualitetit, përvojës apo interesit. Shpresojmë që ata të kthehen tek suneti i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në mënyrën e namazit të teravive për shkak të tekstit Kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë për të Dërguarin e Tij dhe rrugën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk mund të kenë aspak besim derisa të të marrin ty (O Muhamed) gjykues për të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre dhe të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato plotësisht të nënshtruar.” [En Nisa: 65].

Dhe thotë: “Juve u ka ardhur nga Allahu Dritë dhe Libër i Qartë. Allahu i udhëzon me të ata që pasojnë (kërkojnë) Kënaqësinë e Tij, në rrugët e paqes dhe i nxjer ata nga errësira në Dritë me Lejen e Tij dhe i udhëzon ata në Rrugë të Drejtë.”

 


 

  1. Nuk është e vërtetë se ndonjë prej sahabeve i ka falur teravitë me njëzet rekate. Verifikimi i gjurmëve të përcjella nga ata dhe sqarimi i dobësisë së tyre

 

Ekzistojnë gjithashtu transmetime të tjera nga disa sahabe të tjerë, përveç Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ku thuhet se ata i falnin teravitë me njëzet rekate dhe për faktin se ato transmetime nuk qëndrojnë përballë kritikës akademike të saktë, por me të cilat janë mashtruar shumë njerëz, ishte e domosdoshme të sqarohej dobësia e tyre në mënyrë që besimtari të jetë i qartë në veten e tij.

  1. Nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë me dy rrugë se ai i falte teravitë me njëzet rekate.

Rruga e parë: Nga Ebu el Hasna transmetohet se: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) urdhëroi një burrë që të falte me ta në muajin e Ramazanit njëzet rekate”. Këtë e transmeton Ibën Ebi Shejbe në “El Musanef” (2/90/1) dhe Bejhakiu (2/497), i cili shton: “Në këtë sened ka dobësi.”

Them (shejh Albani): Defekti i tij qëndron te Ebu el Hasna, për të cilin Dhehebiu ka thënë: “Nuk njihet”, ndërsa Ibën Haxheri ka thënë: “Është i panjohur”.

Them: Unë mendoj se në të gjendet edhe një defekt tjetër, i cili është ndërprerja prej dy personash ndërmjet Ebu el Hasna dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), sepse Ibën Haxheri thotë në “Et Tehdhib”: “Ai (Ebu el Hasna) ka përcjellë nga el Hakem ibën Atibe; nga Haneshi; nga Aliu; në lidhje me kurbanin.”

Them: Ndërmjet tij dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) duhet të jenë dy transmetues.

Rruga e dytë: Nga Hamad ibën Shuajb; nga Ata ibën es Saib; nga Ebu Abdurrahman es Sulemi; nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Ai -Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)- thirri lexuesit (hafizat) në muajin e Ramazanit dhe urdhëroi njërin prej tyre që të printe njerëzit në namazin e teravive me njëzet rekate. -Thotë: Vetë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e falte namazin e vitrit bashkë me ta.”

Këtë e transmeton Bejhakiu (2/496), por senedi i tij është i dobët dhe ai ka dy defekte: Ata ibën es Saib ngatërrohej në transmetim nga fundi, ndërsa Hamad ibën Shuajb është shumë i dobët, siç ka thënë edhe Buhariu në fjalën e tij: “Për të ka vërejtje (apo ai është me pikëpyetje).” Ndërsa në një vend tjetër thotë: “Hadithi i tij është i refuzuar”

Dhe siç dihet në mesin e dijetarëve, Buhariu e thotë këtë për atë nga i cili nuk lejohet të përcjellësh hadith, kështu që ai nuk vlen për argument dhe nuk është i konsiderueshëm.

Them: Atë (Hamadin) e ka kundërshtuar gjithashtu Muhamed ibën Fudajl, siç e transmeton Ibën Ebu Shejbe nga ai; nga Ata ibën es Saib; me shprehjen: “Nga Aliu, se ai i priu ata në namazin e teravive në Ramazan”, por pa përmendur absolutisht asnjë numër rekatesh. Sigurisht që kjo argumenton për dobësinë e Hamadit, pasi që Muhamed ibën Fudajl është i besueshëm dhe ai nuk ka përcjellë njësoj si Hamadi. Kështu që sipas rregullave të shkencës së hadithit, transmetimi i tij është i refuzuar.

 

  1. Nga Ubej ibën Keab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë gjithashtu me dy rrugë:

Rruga e parë: E ka transmetuar Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/90/1) me sened të saktë deri te Abdulaziz ibën Rafij, i cili ka thënë: “Ubej ibën Keab i printe njerëzit në Ramazan me njëzet rekate dhe e falte vitrin me tre rekate.”

Por ky transmetim është i ndërprerë ndërmjet Abdulazizit dhe Ubej ibën Keab, pasi që distanca ndërmjet dy vdekjeve të tyre është më shumë se njëqind vjet dhe për këtë arsye, dijetari i madh indian En Nejmevi ka thënë: “Abdulaziz ibën Rafij nuk e ka arritur Ubej ibën Keab-in”. Këtë e ka përcjellë nga ai el Mubarekfuri (në sherhun e Sunenu Tirmidhi) dhe e pasoi me fjalën e tij (2/75): “Çështja qëndron ashtu si ka thënë En Nejmevi. Ky transmetim nga Ubeh ibën Keab është i ndërprerë dhe përveç kësaj ai është në kundërshtim me atë që është përcjellë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai e urdhëroi Ubej ibën Keabin dhe Temim ed Darin që t’i prijnë njerëzit me njëmbëdhjetë rekate. Ai gjithashtu është në kundërshtim me atë që është përcjellë nga Ubej ibën Keab se ai u fal në Ramazan imam për gratë në shtëpinë e tij dhe fali tetë rekate, pastaj vitrin, siç e pamë më parë të plotë.”

Them: Ka për qëllim atë që ka përmendur një faqe më parë, ku thotë: “Për këtë fjalën e fundit që ka zgjedhur Maliku, d.m.th. njëmbëdhjetë rekatet e teravive, argumenton edhe hadithi i Ebu Jeala nga Xhabir ibën Abdullah i cili ka thënë: “Ubej ibën Keab erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Këtë natë më ndodhi diçka –në një natë ramazani-. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ç’është ajo, o Ubej?” -Ai tha: Disa gra që ndodheshin në shtëpinë time thanë: Ne nuk mund të lexojmë shumë Kuran (nuk dimë përmendësh), a të falemi pas teje? -Thotë: Atëherë fala me to tetë rekate dhe pastaj fala vitrin. -Ky ishte suneti i qëlluar dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk tha gjë.”[11] 

El Hejthemi në “Muxhea ez zauaid” thotë: “Senedi i këtij hadithi është Hasen”.

Rruga e dytë: Atë e ka nxjerrë Ed Dajaa el Makdesi në “El Muhtara” (1/384); nga Ebu Xheafer er Razi; nga er Rabij ibën Enes; nga Ebu el Alije; nga Ubej ibën Keab, se: “Umeri urdhëroi Ubejin që të printe njerëzit në muajin e ramazanit (në namazin e teravive) dhe i tha: “Njerëzit agjërojnë ditën dhe nuk mund të lexojnë shumë Kuran (nuk dinë përmendësh), kështu që do të bëje mirë të lexoje me ta në namazin e natës.” -Ai tha: “O prijësi i besimtarëve! Kjo është diçka që nuk ka qenë bërë më parë?!” -Ai tha: “E di, por kjo kjo është diçka e mirë, prandaj fal me ta njëzet rekate!”

Them: Senedi i këtij etheri është i dobët; Ebu Xheaferin, emri i të cilit është Isa ibën Ebi Isa ibën Mahan, Dhehebiu e ka përfshirë në mesin e transmetuesëve të dobët dhe ka thënë: Ebu Zurah thotë: “Ai gabon shumë”. Ndërsa Ahmedi ka thënë: “Ai nuk është i fortë”. Ndërsa një herë tjetër ka thënë: “Hadithi i tij është i mirë”. Ndërsa El Felas thotë: “Me memorje të keqe”, ndërsa dikush tjetër thotë: “I besueshëm”. Më pas Dhehebiu e përmendi atë në mesin e transmetuesve që njihen me kunjën e tyre dhe tha: “Të gjithë kanë folur keq për të.” Ndërsa Ibën Haxheri e ka thënë prerë në “Et Takrib” se: “Ai është me memorje të keqe”.

Ibën Kajim në “Zadul miad” (1/99) thotë: “Ai është transmetues i haditheve të refuzuara. Askush prej dijetarëve nuk është argumentuar me hadithet që ai i ka përcjellë i vetëm.”

Them: Për këtë nuk dyshon asnjë studiues i haditheve; se ai shpeshherë i kundërshton transmetimet e të besueshmëve, prej të cilave është edhe ky hadith, sepse siç e pamë më sipër të transmetuar me sened të saktë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai e urdhëroi Ubejin të falte me njerëzit njëmbëdhjetë rekate dhe nuk mund të imagjinohet se Ubeji do të kundërshtonte urdhërin e prijësit të besimtarëve, aq më tepër kur ai është në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, në vepër dhe aprovim të Ubejit, siç e pamë më parë.

Ky transmetim ka edhe një kundërshtim tjetër në fjalën: “Kjo është diçka që nuk ka qenë më parë”, pasi që nuk mund të imagjinohet që atë ta thotë Ubeji dhe Umeri të bjerë dakord me të, ndërkohë që ky bashkim (për faljen e teravive) i ka rrënjët në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç e sqaruam këtë me hadithe të sakta, kështu që ata duhet të ishin prej dëshmuesve të kësaj, apo të paktën të ishin në dijeni për të, ndërkohë që ata njihen për vendin e tyre në lidhje me dijen!

Shkurt, ky transmetim nga Ubeji është i refuzuar dhe nuk vlen për argument.

  1. Nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ka transmetuar atë Ibën Nasr në librin “Namazi i natës”[12] (f. 91); nga Zejd ibën Vehbi, (ka thënë): “Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) falej me ne në muajin e Ramazanit dhe e mbaronte namazin (e teravive) kur kishte mbetur edhe pak prej natës. El Eamash thotë: “Ai falte njëzet rekate (teravi) dhe tre rekate vitër.” El Mubarekfuri në “Sherhun e Tirmidhiut” (2/75) thotë: “Senedi i këtij etheri është gjithashtu i ndërprerë sepse El Eamashi nuk e ka arritur Ibën Mesudin”.

Them: E vërteta qëndron ashtu si ka thënë ai, madje senedi i tij mund të jetë me dy transmetues të rrëzuar, sepse përgjithësisht El Eamashi transmeton nga Ibën Mesudi me dy ndërmjetësa, siç e njeh këtë gjë studiuesi i Musnedit të Ibën Mesudit. Pastaj ne nuk e dimë nëse senedi i tij është i saktë apo jo deri tek El Eamashi, pasi që përmbledhësi i librit, el Mukrini e ka hequr senedin e tij, dhe ah, sikur të mos e kishte bërë këtë, sepse ai na ka humbur njohjen e gradës së shumë haditheve të atij libri!

Ajo që mendohet është se ai nuk është i saktë nga El Eamashi, pasi që Et Taberani e ka përcjellë këtë ether nga Zejd ibën Vehbiu i përmendur më sipër, në librin “El Muxhmeu” (3/172), por nuk e ka përmendur këtë fjalë të Eamashit. Kështu që në rrugën për tek ai do të ketë qenë ndonjë transmetues i dobët nga memorja e keqe a ndonjë arsye tjetër, dhe Allahu e di më mirë.[13]

Kjo është e gjitha ajo ku qëndruam në lidhje me gjurmët e përcjella nga sahabet (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) për të shtuarit në numrin e teravive të caktuara në sunet dhe që të gjitha ato janë të dobëta dhe të paqëndrueshme. Për dobësinë e tyre ka bërë shenjë edhe Tirmidhiu, siç e pamë më sipër.

Unë besoj se lexuesi i nderuar nuk mund ti gjejë të gjitha ato hadithe të mbledhura në një libër të vetëm, me këtë studim të rrugëve të transmetimit të tyre dhe me këtë verifikim të përpiktë akademik. Për këtë falenderojmë Allahun, me Mirësinë e të Cilit plotësohen të mirat!

 


 

Nuk ekziston unanim për faljen e teravive me njëzet rekate

 

Nga verifikimi i mësipërm na bëhet e qartë se të gjitha transmetimet e përcjella për sahabet në lidhje me fjalën se ata i kanë falur teravitë me njëzet rekate, ato transmetime nuk qëndrojnë dhe nuk janë të sakta. Ndërsa ajo që thonë disa se “sahabet janë pajtuar unanimisht për faljen e teravive me njëzet rekate”, kjo është diçka të cilës nuk i hidhen sytë, pasi që ajo është ndërtuar mbi transmetim të dobët dhe ajo që ndërtohet mbi baza të dobëta është e dobët. Prej këtu, gjejmë dijetarin e madh, El Mubarekfurin që ta thotë prerë në “Shpjegimin e Suneneve të Tirmidhiut” (2/76), me fjalën: “Ky është një pretendim i pavlefshëm, i kotë”.

Këtë e përforcon edhe fakti se, sikur ajo të ishte e saktë, nuk do ti lejohej pasardhësve të tyre që ti kundërshtonin ata, por në fakt dijetarët që erdhën pas tyre janë kundërshtuar në lidhje me numrin e teravive, siç do ta shohim së shpejti. Por supozimi i një unanimi të tillë i bën studiuesit që të nxitohen në pranimin e çdo unanimi të përmendur në disa libra, për të cilat është vërtetuar se shumë supozime të atilla në to nuk qëndrojnë.

Prej shembujve të tjera për këtë është edhe unanimi i përcjellë nga disa njerëz në lidhje me namazin e vitrit, duke thënë se ai është me tre rekate, megjithëse është përcjellë nga disa prej sahabeve se ata e falnin vitrin me një rekat, siç do ta shohim më pas.

Nisur nga kjo, recensori Sadik Hasen Han, në parathënien e librit të tij “Es siraxh el uehaxh min keshfi metalibi Sahih Muslim ibën el Haxhaxh” (1/3) thotë:

“Në përcjelljen e unanimeve është bërë një dorëlëshim i madh, saqë kush nuk ka njohuri për medhhebet e dijetarëve, mendon se unanimi i dijetarëve të medhhebit apo vendit të tij është unanim i të gjithë dijetarëve. Sigurisht që kjo është një bela e madhe, pasi që ky përcjell tek njerëzit diçka të pavërtetuar e të paqëndrueshme, dhe jo me rrugë të devotshme.

Po kështu kanë bërë edhe dijetarët e katër medhhebeve e sidomos ata të mëvonshmit prej tyre, duke e quajtur atë çështje për të cilën kanë rënë dakord të katër medhhebet, “unanim – ixhma”. Kështu ka bërë për shembull Neveviu, në shpjegimin e “Sahihu Muslim” e të tjerë që kanë ndjekur rrugën e tij.

Por ky nuk është “ixhmai-unanimi” për të cilin dijetarët kanë thënë se është argument i konsideruar në sheriat (pas Kuranit dhe Sunetit), ndërsa brezi më i mirë është brezi i parë, pastaj ata që erdhën pas tyre dhe pastaj ata që erdhën pas tyre, dhe që të gjithë ata kanë qenë para shfaqjes së medhhebeve.

Dijetari i madh Esh Sheukani thotë: “Unanimet që përmenden në libra, nuk janë veçse në çështje për të cilat autorët e atyre librave nuk dinë të ketë kundërshtim në to, por mosnjohja e tyre për ekzistencën e kundërshtimit, nuk do të thotë se ai nuk ekziston, më e shumta që mund të thuhet është se ai mendon se në atë çështje të caktuar ka unanim. Por mendimi i një personi nuk është i vlefshëm për të qenë kompetent në përcjelljen e unanimit dhe as rrugë prej rrugëve të njohjes së tij. Ndërsa ata të cilët thonë se unanimi është argument në sheriat, nuk kanë për qëllim këtë unanim të imagjinuar i cili është thjesht mendimi i një individi të shoqërisë dhe Allahu nuk ka kërkuar prej krijesave të Tij që t’a adhurojnë Atë me diçka të tillë.

Në qoftë se një studiues thotë: “Unë nuk di ndonjë argument nga Kurani apo nga Suneti për këtë çështje të caktuar”, asnjë i logjikshëm dhe aq më tepër dijetar, nuk do të thoshte se kjo fjalë e tij është argument.

Në qoftë se kuptohet kjo, do të të lehtësohet perceptimi kur dëgjon fjalën “unanim”, pasiqë nuk është “unanim” ai për të cilin populli është kundërshtuar në është apo jo argument, megjithëse shumica e dijetarëve të “Usulit – bazave të fikhut” thonë se në “ixhma – unanim” nuk pranohen transmetimet “Ehad – që kanë ardhur me një rrugë të vetme transmetimi”, siç ka thënë el Kadi në “Et Tekrib” dhe Gazali në librat e tij.”

Argumentet e kësaj çështjeje i kam paraqitur në librin “Husul el Me’mul min Ilmi el Usul”, kështu që kush dëshiron, le të kthehet te ai, apo te libri “Udhërrëfimi i kërkuesit të dijes”, e libra të tjerë nga librat tanë.

Them: Po kështu e ka verifikuar këtë çështje imam Ebu Muhamed ibën Hazmi, në librin e tij me vlerë “Ihkamu el Ahkam fi Usuli el Ahkam”. Ndaj, kushdo që dëshiron të verifikojë “unanimet” e përmendur nga disa njerëz, le të kthehet te ai, sepse ai është prej librave më të mirë në bazat e fikhut dhe i ilustruar me argumente nga Kurani dhe suneti, ndryshe nga disa libra të tjerë të thurura me imagjinata e supozime!

 


 

  1. Domosdoshmëria e të kapurit për njëmbëdhjetë rekate (në namazin e teravive) dhe argumenti për këtë

 

Tashmë është bërë e qartë për çdo të logjikshëm e të paanshëm se të falurit e namazit të teravive me njëzet rekate nga ndonjë prej sahabeve, nuk qëndron, por ajo që qëndron është urdhëri i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ato të falen me njëmbëdhjetë rekate, ashtu si dhe na u bë e qartë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i ka falur ato veçse me njëmbëdhjetë rekate.

Kjo na hap rrugë që të themi se falja e teravive me njëmbëdhjetë rekate është e detyrueshme dhe nuk duhet të shtohet në to, duke pasuar kështu të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe fjalën e tij: “…sepse ai që do të jetojë pas meje prej jush, do të shohë kundërshtime të shumta, por ju kapuni për sunetin tim dhe për sunetin e hulefave të drejtëudhëzuar e të drejtë! Kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni atë fortë me dhëmballë! Dhe ruajuni punëve të reja e të shpikura, sepse çdo e shpikur është risi (bidat) dhe çdo risi është humbje.” Në një hadith tjetër shton: “Dhe çdo humbje e ka vendin në Zjarr”.

Këtë hadith e transmeton Ahmedi (4/126, 127), Ebu Daudi (2/261), Tirmidhiu (3/377-378), Ibën Maxheh (1/19, 21), El Hakim (1/95, 97); nga disa rrugë, nga El Irbad ibën Sarije (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Tirmidhiu, El Hakim, Dhehebiu e të tjerë e kanë konsideruar të saktë këtë hadith dhe ai është ashtu si kanë thënë.

Ndërsa hadithin tjetër (me shtesën) e ka transmetuar Nesai (1/234), Ebu Nuajmi në “El Hilje” 3/189) dhe Bejhakiu në “Emrat dhe Atributet e Allahut” (f. 82); me sened të saktë nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ibën Tejmije e ka konsideruar të saktë atë në “El Fetava” (3/58).

Është e ditur se dijetarët janë kundërshtuar në shumë çështje të fikhut, prej të cilave është edhe çështja që kemi në duar në lidhje me numrin e rekateve të teravive. Kundërshtimi i tyre në këtë çështje ka arritur në tetë mendime, si vijon:

Mendimi i parë: (41) rekate.

I dyti: (36) rekate.

I treti: (34) rekate.

I katërti: (28) rekate.

I pesti: (24) rekate.

I gjashti: (20) rekate.

I shtati: (16) rekate.

I teti: (11) rekate.[14]

Përderisa hadithi i përmendur na ka sqaruar rrugëdaljen nga çdo kundërshti në të cilën mund të bjerë populli dhe çështja për të cilën po flasim është e këtij lloji, atëherë na bëhet e detyrueshme të kthyerit te rrugadalja, d.m.th: tek të kapurit për sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili në rastin tonë është njëmbëdhjetë rekate për teravitë. Kështu që është e detyrueshme ta zbatojmë atë dhe të lëmë çdo gjë tjetër që e kundërshton atë, aq më tepër kur edhe vepra e udhëheqësve të drejtë (el hulefa er rashidin) është në përputhje me të. Prej këtu, ne shohim se të shtuarit në numrin e tyre është në kundërshtim me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që në adhurime nuk lejohet të vepruarit sipas asaj që mendja e sheh si të mirë por duhet qëndruar në tekstet hyjnore, siç e pamë më parë.

Për tu habitur është fakti se populli i thjeshtë e ka kuptuar pak a shumë këtë gjë dhe shpesh i dëgjojmë të thonë: “Të shtuarit është motra e të lënit mangut”, por si është puna me ata të cilët janë disi më të veçantë se populli?!

Më ka bërë përshtypje në lidhje me këtë pikë, ajo që ka përmendur Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/110/2); nga Muxhahidi, ka thënë: Një burrë erdhi te Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe i tha: “Unë me një shokun tim ishim në një udhëtim. Unë e falja namazin të plotë ndërsa ai e shkurtonte atë.” -Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “Ai që e shkurtonte ke qënë ti, ndërsa ai që e falte të plotë ka qënë shoku yt.”

Sigurisht që kjo ka qënë nga të kuptuarit e thellë të Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), pasi që ai e konsideroi plotësimin dhe saktësinë e namazit në udhëtim atë që ishte bërë në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa mangësinë dhe shkurtimin në atë që e kundërshton atë, edhe nëse ajo në numër është më shumë. Si të mos jetë kështu, kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri lutje për Ibën Abasin me fjalët: “O Zot! Bëja të kuptueshme atij Fenë dhe mësoji interpretimin (e Kuranit)!”

Në fakt, ai që është vërtetë fakih (që e kupton sheriatin), atij nuk i takon ta kapërcejë këtë fjalë të Ibën Abasit, por e konsideron atë si bazë në të gjitha çështjet e sheriatit të përsosur, pasiqë e kundërta e kësaj të shpie në mveshjen e Ligjvënësit me harresë e mangësi, “Por Zoti yt nuk harron kurrë”. Por këtë do ta shpjegojmë në një broshurë tjetër inshaAllahu.

Më ka bërë përshtypje gjithashtu, fjala e shejhut të Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në përgjigjen që i ka kthyer shiitit, Ali ibën El Mutahar:

“Ai pretendon se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) falte një mijë rekate në një ditë-natë, por kjo nuk është e vërtetë. I Dërguari ynë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk falte më tepër se trembëdhjetë rekate në natë, madje nuk është e preferuar që të ngrihesh për tu falur në çdo natë, përkundrazi, ajo është e papëlqyeshme, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë Abdullah ibën Amrit (ibën el Asit): “Trupi yt ka të drejta mbi ty.”

Vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte në një ditë-natë rreth dyzetë rekate dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qenë më i dijshëm me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe më pasues i tij se të tjerët, kështu që si mund ta kundërshtojë atë me një mënyrë të atillë, nëse do të supozonim se fjala e tyre është e mundur të kryhet?! Si do të ishte e mundur të falte një mijë rekate sipas rregullit dhe njëkohësisht të kryente detyrat e tjera, kur dihet se trupi i tij ka të drejta mbi të, si të fjeturit, të ngrënit, të pirit, nevojat e tij, pastrimit, bashkimit me familjen e tij, përkujdesjen për fëmijët dhe familjen e tij, gjë e cila merr thuajse gjysmën e kohës që ka në dispozocion njeriu?!

Një orë e vetme nuk do të mjaftonte për tu falur gjatë saj tetëdhjetë rekate, vetëm nëse do të këndohej në to vetëm surja Fatiha dhe pa përqendrim e qetësi në namaz. Ndërsa Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është më i lartë dhe më fisnik sesa të falë namazin e hipokritëve dhe të mos e përmendë Allahun veçse pak, siç transmetohet në dy Sahihat.”

Vështro se si e ka pastruar Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nga të shtuarit në rekatet e teravive mbi sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur thotë: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qënë më i dijshëm me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe më pasues i tij se të tjerët, kështu që si mund ta kundërshtojë atë me një mënyrë të atillë?!”

 


 

Dijetarët të cilët e kanë refuzuar shtimin në rekatet e teravive

 

Për këtë arsye: sikur të ishte e qëndrueshme se ndonjëri prej halifëve të drejtë, apo prej sahabeve të dijshëm të kishte shtuar në numrin e rekateve të namazit të natës (teravive) më shumë se njëmbëdhjetë rekate, ne nuk do të mund të thonim tjetër veçse ta pranonim atë, sepse ne e dimë mirë vlerën e tyre, dijen e tyre, të qëndruarit e tyre larg risive në Fe dhe kujdesin i tyre për ndalimin e njerëzve nga ato (risitë). Por përderisa diçka e tillë nuk qëndron, ne nuk e konsiderojmë të lejuar të shtuarit në numrin e teravive. Ata që na kanë prirë në këtë fjalë kanë qënë dijetarë të mëdhenj prej selefëve me në krye imam Malikun në njërën prej dy fjalëve të tij.

Sujuti në librin “El mesabih fi salati et teravih” (2/77, prej fetvave të tij) thotë: “El Xhuri –një prej shokëve tanë- ka përcjellë nga Maliku se ai ka thënë: “Ajo në të cilën Umer ibën El Hatab i bashkoi njerëzit është më e dashur për mua dhe ato kanë qenë njëmbëdhjetë rekate. Ky ka qënë edhe namazi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” Dikush i tha: Njëmbëdhjetë rekate bashkë me vitrin? Ai tha: “Po”. Edhe trembëdhjetë rekate është e përafërt me këtë. Pastaj tha: “Dhe nuk e di se nga u shpik ky numër i madh rekatesh?!”

Ndërsa imam Ibën El Arabi, në librin “Shpjegimi i Tirmidhiut” (4/19), pas përmendjes së transmetimeve të ndryshme nga Umeri dhe deri në fjalën se nuk ka ndonjë numër të kufizuar teravish, ai thotë:

“E sakta është që të falen njëmbëdhjetë rekate, si namazi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kijami (teravitë) e tij. Ndërsa numrat e tjerë për teravitë nuk kanë ndonjë bazë dhe as kufi. Por meqë duhet të ketë patjetër një kufi, atëherë sa rekate falte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka shtuar më shumë se njëmbëdhjetë rekate, qoftë në Ramazan apo në muajt e tjerë. Me këtë namaz është për qëllim namazi i kijamit (namazi i natës, i teravive). Kështu që është e detyrueshme që të marrim shembull në to të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) .”

Po kështu edhe imam Muhamed ibën Ismail Es Saneani në librin “Subulus Selam” – “Rrugët e Paqes” (2/11,12) ka shprehur qartë se numri “njëzet” në namazin e teravive është bidat. Ai thotë: “Dhe nuk ka ndonjë bidat të mirë, të gjitha bidatet janë në humbje.”

Them: Sqarimi i kësaj ideje do të shtrohet më gjerë në broshurën e veçantë për bidatin –insha Allahu-, por ne na mjafton këtu ti kujtojmë lexuesit të nderuar fjalën e sahabiut të ndershëm, Abdullah ibën Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) që thotë: “Çdo bidat është në humbje edhe nëse njerëzit e shohin të mirë atë.”

E themi këtë me qëllim që lexuesi të jetë i vëmendshëm nga ata që pretendojnë se përkrahin sahabet por që në të vërtetë janë në krye të kundërshtarëve të tyre në gjërat që ata ndalojnë. Për të mos u mjaftuar me këtë, ata fillojnë e akuzojnë thirrësat e sunetit me fjalët se ata i kundërshtojnë sahabet, por në të vërtetë ata janë më të shumtit pasues të sahabeve, nëse transmetimi prej tyre është i saktë, siç e pamë më parë.

 


 

Përgjigja për disa dyshime e akuza

 

Fakti që ne ngulim këmbë në kapjen për këtë numër të ardhur në sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe braktisjen e të shtuarit në të, ky fakt nuk hap shteg kundër nesh për të thënë se ne i quajmë bidatçinj ata (dijetarë) të cilët kanë zgjedhur shtesën në to, apo se ata e kanë bërë këtë nga pasimi i dëshirave të tyre, siç e sqaruam më parë, prandaj ne habitemi kur ndokush prej muslimanëve çon në mendje që ti quajë ata bidatçinj në Fe. Kjo jo, madje ata kanë shpërblim për përpjekjen e tyre, siç e kemi përmendur shpesh. Si mund të ishte kështu kur ata kanë mirësinë e të drejtuarit tonë në atë që argumenton Kurani dhe Suneti?!

Dëgjo imam Shafiun (Allahu e mëshiroftë!), se si thotë: “Muslimanët të gjithë kanë rënë në unanim se kujt i bëhet e qartë ndonjë prej suneteve të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atij nuk i lejohet ta lërë atë për shkak të fjalës së ndokujt tjetër.”

Po kështu ne nuk na detyrohet fjala e disave, të cilët nga imagjinata e tyre thonë se kundërshtimi i ndonjë prej imamëve do të thotë se kundërshtari pretendon se është më i mirë se ata në dije e perceptim! Jo, nuk është ashtu. Kjo është veçse një imagjinatë e kotë. Ne e dimë mirë detyrimisht që katër imamët e mëdhenj janë më të ditur se nxënësit e tyre, e aq më tepër për ata më pas tyre, por megjithatë ata nxënës i kanë kundërshtuar mësonjësit e tyre në shumë çështje dhe kështu vazhdon kjo gjë; të mëpasmit kundërshtojnë ata të mëhershmit, derisa të ketë dijetarë verifikues në popullin musliman.

Por arsnjëherë nuk mund të imagjinohet se këta të mëvonshmit, të cilët mund ti kundërshtojnë ata në disa çështje, pretendojnë se janë më të mirë se ata. Si mund të imagjinohet diçka e atillë, kur kundërshtarët e tyre janë shumë e shumë periudha pas tyre?!

E vërteta është se gjendja jonë në lidhje me imamët e mëdhenj është ashtu si transmetohet nga Asim ibën Jusuf, se dikush i tha atij: “Ti e kundërshton shumë Ebu Hanifen.” -Ai i tha: “Ebu Hanifes i është dhënë ajo që nuk na është dhënë neve dhe të percepturit e tij ka arritur atë që ne nuk kemi mundur ta arrijmë, kështu që ne nuk na lejohet të japim përgjigje sipas fjalës së tij përderisa nuk e kemi kuptuar se nga e ka marrë atë!”

E them këtë duke qënë i vetëdijshëm se Mëshira e Allahut është më e gjerë se të kufizuarit e mirësisë dhe dijes vetëm te katër imamët e mëdhenj dhe se Allahu është i Mundshëm të krijojë pas tyre edhe më të dijshëm se ata, duke kujtuar gjithashtu se mundet që tek i mëvonshmi të gjendet diçka që nuk ka qënë tek i mëparshmi dhe tek ai që është më i mirë se ai. Kjo është diçka e njohur dhe e aprovuar tek dijetarët. Po kështu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Populli im është si shiu, që nuk i dihet se ku e ka begatinë, në fillim apo në fund të tij!”

Këtë hadith e tarnsmeton Tirmidhiu (4/40) dhe e ka quajtur Hasen. E ka transmetuar gjithashtu El Akili (f. 110, 111) e të tjerë.

 


 

Të lejuarit e faljes së kijamit (namazit të natës dhe teravive) me më pak se njëmbëdhjetë rekate

 

Nëse ndokush thotë: “Meqë ndaloni të shtuarit në numrin e rekateve të transmetuara nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për namazin e natës, nga i cili është edhe namazi i teravive, atëherë duhet të ndaloni edhe faljen e tyre me më pak se njëmbëdhjetë rekate, pasiqë nuk ka dallim ndërmjet të shtuarit dhe të pakësuarit, sepse për asnjërën prej tyre nuk ka ardhur argument!”

Përgjigja: Nuk ka dyshim se e vërteta do të ishte ashtu si thonë, sikur të mos kishte ardhur nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lejimi i të falurit e tyre me më pak se ky numër; nga vepra dhe nga fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Për veprën e tij, Abdullah ibën Ebu Kajs ka thënë: I thashë Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “Me sa rekate e falte vitrin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?” Ajo tha: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me katër plus tre rekate, ose me gjashtë plus tre, ose me dhjetë plus tre. Por nuk e falte vitrin me më pak se shtatë rekate dhe as me më shumë se trembëdhjetë rekate.”[15]

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi (1/214), Tahaviu në librin “Sherh meani el Ethar” (1/168) dhe Ahmedi (6/149) me sened të mirë. Hafiz El Iraki e ka konsideruar të saktë atë (nr. 573).

Ndërsa nga fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kemi argument hadithin: “Vitri është hak (e vërtetë); kush do, le të falë në të pesë rekate, kush do, le të falë tre rekate dhe kush do, le të falë një rekat!”

Këtë hadith e transmeton Tahaviu (1/172), Darakutni (f.182), El Hakim (1/302) dhe Bejhakiu; nga hadithi i Ebu Ejub el Ensari të ngritur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). El Hakim thotë: “Ky hadith është Sahih sipas kushteve të dy shejhave (Buhariut dhe Muslimit).” Atë e ka aprovuar gjithashtu Dhehebiu dhe Neveviu në “El Mexhmu”. Ibën Habani e ka quajtur të saktë, siç thuhet në “Fet’hul bari” (2/386). Dhe hadithi është ashtu si kanë thënë ata.[16]

Ky tekst është i qartë për lejimin e të mjaftuarit me një rekat të vetëm në namazin e vitrit dhe sipas kësaj ka vazhduar puna e selefëve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Hafiz Ibën Haxheri në shpjegimin e “Sahihut të Buhariut” thotë:

“Ka ardhur me rrugë të saktë nga disa prej sahabeve se ata e kanë falur vitrin me një rekat të vetëm, pa falur nafile para tij. Në librin e Muhamed ibën Nasr e të tjerë, transmetohet me sened Sahih nga Es Saib ibën Jezid; se Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) lexoi një natë Kuranin në një rekat të vetëm dhe nuk fali rekat tjetër përveç tij dhe do të vij më pas në kapitullin “El Megazi” hadithi i Abdullah ibën Thealebe; se Seidi e fali vitrin me një rekat. Po ashtu do të vijë në kapitullin “El Menakib”, nga Muavija se ai e fali vitrin me një rekat ndërsa Ibën Abasi e aprovoi atë duke i thënë se vepra e tij është e saktë.”[17]

 


 

  1. Format me të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e natës dhe atë të vitrit

 

Dije, o ti musliman, se namazi i të Dërguarit të Allahut(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që ai falte natën dhe vitri i tij ka qenë me forma e mënyra të ndryshme e të shumta, gjë e cila në shumicën e librave të fikhut nuk është shkruar, ndërkohë që ka qënë e detyrueshme sqarimi i sunetit të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për njerëzit. Kështu që, nisur nga qëllimi që ti lehtësojmë rrugën atij që dëshiron të pasojë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të na shkruhet edhe ne sevapi i tyre –inshaAllahu- dhe me qëllim që ai i cili nuk e di, të ruhet nga refuzimi i ndonjë gjëje prej sunetit, , -Allahu na dhëntë sukses në pasimin e sunetit të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me një pasim të vërtetë dhe na ruajtë nga rënia në bidat!-, ndjeva për detyrë se sqarimi i kësaj është i detyrueshëm, prandaj them:

  1. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka falur “trembëdhjetë rekate” të cilat i hapte me dy rekate të lehta dhe për këtë kanë ardhur disa hadithe:

Hadithi i parë: Hadithi i Zejd ibën Halid el Xhuheni, se ka thënë: Këtë natë do të ruaj namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali dy rekate të lehta, pastaj fali dy rekate të gjata, të gjata, të gjata. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa dy të parat. Pastaj fali dy rekate më pak të gjata se ato para tyre. Pastaj fali dy rekate më pak të gjata se ato para tyre. Pastaj fali vitrin. Të gjitha këto ishin trembëdhjetë rekate.”

Këtë hadith e transmeton Muslimi dhe Ebu Avane në dy “Sahihat” e tyre, si dhe të tjerë.

Hadithi i dytë: Hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Fjeta tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte te Mejmune atë natë. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjeti derisa kaloi një e treta e natës apo gjysma e saj, pastaj u zgjua dhe shkoi tek një enë me ujë për të marrë avdes. Bashkë me të mora avdes edhe unë. Pastaj u drejtua për tu falur dhe unë qëndrova në të majtë të tij, por ai më kaloi nga e djathta e tij. Pastaj vuri dorën e tij mbi kokën time dhe më preku veshët, sikur donte të më nxirrte gjumin. Pastaj fali dy rekate të lehta në të cilat lexoi Nënën e Kuranit (Fatiha-në), pastaj dha selam. Pastaj u fal derisa plotësoi njëmbëdhjetë rekate bashkë me vitrin, pastaj fjeti. Më pas erdhi Bilali dhe i tha: “Hyri koha e namazit (të sabahut), o i Dërguari i Allahut!” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit dhe fali dy rekate të lehta, pastaj u fal me njerëzit (sabahun).”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi dhe nga ai Ebu Avane në “Sahihun” e tij. Origjina e këtij hadithi gjendet në dy “Sahihat” e Buhariut dhe Muslimit.

Hadithi i tretë: Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë: “Kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fillonte të falte namazin e natës, ai e hapte atë me dy rekate të lehta, pastaj falte tetë rekate, pastaj falte vitrin.”

Ndërsa në një transmetim tjetër, ajo thotë: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte darkën, pastaj shkëputej për të falur dy rekate, ndërkohë që e kishte përsëritur avdesin dhe pastrimin e gojës me misvak. Pastaj falte dy rekate. Pastaj ngrihej dhe falte tetë rekate të barabarta në leximin e Kuranit dhe pastaj falte vitrin në rekatin e nëntë. Sa më shumë shtyhej në moshë dhe e zinte mishi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ato tetë rekate i bënte gjashtë dhe në të shtatin falte vitrin. Pastaj falte dy rekate duke ndenjur ulur dhe lexonte në to “Kul ja ejuhal kafirun” dhe “Idha zulziletil ardu”.

Këtë hadith e ka nxjerrë Tahaviu me të dy transmetimet dhe senedi i tyre është Sahih. Pjesën e parë në transmetimin e parë e ka nxjerrë Muslimi dhe Ebu Avane. Që të gjithë ata e kanë përcjellë nga rruga e Hasen El Basri me shprehjen “nga; nga; nga” (e cila nuk është e fortë në transmetim). Por atë e ka nxjerrë gjithashtu Nesai dhe Ahmedi me shprehje të qartë të tregimit “na ka treguar”; njësoj si transmetimi i dytë nga Aisha.

Tek Tahaviu thuhet qartë se numri i rekateve ishte trembëdhjetë dhe ai është argument se fjala e saj (Aishes) në transmetimin e parë: “pastaj fali vitrin”, d.m.th: me tre rekate, dhe kështu përputhen të gjitha transmetimet. Kështu që ky hadith i Aishes është i njëjtë me hadithin e Ibën Abasit të përmendur para këtij.

Vërejmë se në shprehjen e dytë, Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i përmendi dy rekatet e lehta pas namazit të darkës dhe nuk ka përmendur ndërmjet tyre sunetet e darkës. Kjo përforcon atë që aprovuam në fillim të kësaj broshure se këto dy rekate kanë qënë sunetet e darkës.

  1. Forma e dytë: Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte “trembëdhjetë rekate”. Prej tyre falte tetë të cilat i ndante me selam dy e nga dy rekate, pastaj falte vitrin me pesë rekate, pa qëndruar ulur midis tyre dhe pa dhënë selam veçse në të pestin. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbështetej për të fjetur dhe kur zgjohej, pastronte gojën me misvak dhe merrte avdes. Pastaj falte tetë rekate ku ulej dhe jepte selam pas çdo dy rekatesh. Pastaj falte vitrin me pesë rekate ku nuk ulej veçse në të pestin dhe nuk jepte selam veçse në të pestin. Kur thirrte muezini ezanin, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej dhe falte dy rekate të lehta.”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi me sened të saktë sipas kushteve të dy shejhave. Atë e ka nxjerrë gjithashtu Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Darimiu, Ibën Nasr, Bejhakiu dhe Ibën Hazm në “El Muhala”. Që të gjithë ata e kanë transmetuar të shkurtuar, pa përmendur dhënien e selamit pas çdo dy rekateve. Ndërsa Shafiu, Tajalisi dhe El Hakim kanë transmetuar prej tij vetëm faljen e vitrit me pesë rekate.

Ky hadith ka edhe një dëshmues tjetër nga hadithi i Ibën Abasit të cilin e ka nxjerrë Ebu Daudi dhe Bejhakiu me sened Sahih.

Transmetimi i Ahmedit tregon qartë se numri i përgjithshëm i rekateve ka qënë trembëdhjetë rekate, përveç dy rekateve të sabahut (sunete). Nga ana e jashtme ky duket në kundërshtim me hadithin e Aishes që thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate as në Ramazan dhe as jashtë Ramazanit.” Por e pamë pak më parë mënyrën e të bashkuarit ndërmjet tyre, përfundimi i të cilit është se ajo ka pasur për qëllim rekatet e tjera përveç dy rekateve të lehta me të cilat ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin e natës. Pastaj gjetëm një hadith i cili konsiderohet gjykues për bashkimin ndërmjet tyre. Ai është hadithi i përmendur pak më parë në të cilin ajo ka përmendur dy rekatet e lehta, pastaj tetë rekate, pastaj vitrin.

  1. Forma e tretë: Një herë tjetër ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte “njëmbëdhjetë rekate”, në të cilat jepte selam pas çdo dy rekatesh, pastaj falte vitrin një rekat. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë:

“I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke filluar nga pas namazit të jacisë dhe deri në agim, ai falte njëmbëdhjetë rekate, duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh dhe në fund falte vitrin një rekat. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në sexhde aq kohë sa dikujt prej jush i duhet për të lexuar pesëdhjetë ajete. Kur ngrihej muezini dhe vinte re hyrjen e kohës së sabahut, vinte te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe atëherë ai falte dy rekate të lehta. Pastaj mbështetej në krahun e tij të djathtë dhe qëndronte ashtu derisa të vinte muezini për të thirrur ikametin.”   

Këtë hadith e transmeton Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tahaviu dhe Ahmedi. Dy të parët e kanë transmetuar atë gjithashtu nga hadithi i Ibën Umerit, ndërsa Ebu Avane nga hadithi i Ibën Abasit.

Për këtë formë të faljes së namazit të natës dëshmon edhe hadithi i Ibën Umerit; se një burrë pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për namazin e natës dhe ai i tha: “Namazi i natës është dy e nga dy rekate. Nëse ndokush prej jush i frikësohet hyrjes së kohës së sabahut, atëherë një rekat i vetëm ia bën tek atij namazin që ka falur.”

Këtë hadith e transmeton Maliku, Buhariu, Muslimi dhe Ebu Avane, i cili shton: Dikush i tha Ibën Umerit: Çdo të thotë “dy e nga dy”? Ai tha: “Të japësh selam pas çdo dy rekatesh.”

Ndërsa në transmetimin e Malikut dhe Buhariut thuhet; se Abdullah ibën Umer i ndante me selam dy rekatet e vitrit nga teku i tij dhe ndërkohë mund të kërkonte ndonjë nevojë.”

Sqarimin e Ibën Umerit të përmendur më sipër e ka transmetuar Ahmedi, të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të futur në mesin e hadithit, por në senedin e tij gjendet Abdulaziz ibën Ebu Ruvad i cili është besnik por që ndoshta gabon, siç thuhet në “Et Takrib”, kështu që kam frikë se ai ka gabuar në ngritjen e këtij hadithi!

  1. Forma e katërt: Falja e “njëmbëdhjetë rekateve të ndara me selam katër e nga katër, pastaj tre (vitrin)”.

Këtë formë e kanë transmetuar dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) e të tjerë, nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e kemi përmendur më parë.

Ajo që duket nga hadithi është se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte ulur për teshehudin ndërmjet çdo dy rekatesh, por nuk jepte selam veçse pas rekatit të katërt. Kështu e ka interpretuar edhe Neveviu, siç e pamë më parë. Kjo është përcjellë gjithashtu e qartë nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!); se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk jepte selam mes dy rekateve dhe tekut të vitrit, por që të gjitha këto transmetime kanë defekte, siç e ka përmendur këtë Ibën Nasri, pastaj Bejhakiu dhe Neveviu, si dhe e kam sqaruar në librin “Et tealikatu el xhijad ala zadi el miad”. Mbështetja më e madhe për ligjshmërinë e ndarjes me teshehud dhe pa dhënë selam, është tek ky hadith, por në fund të kësaj teme do të vijë ajo që e kundërshton këtë gjë.

  1. Forma e pestë: Falja e “njëmbëdhjetë rekateve”, duke falur tetë rekate pa qëndruar ndërmjet tyre veçse pas rekatit të tetë, ku thua teshehudin, salavatet, pastaj ngrihesh pa dhënë selam dhe fal një rekat të vetëm (vitrin), pastaj jep selam. Pastaj fal dy rekate duke qëndruar ulur.

Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e transmeton Sead ibën Hisham ibën Amir; se ai shkoi te Ibën Abasi dhe e pyeti se si e falte vitrin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “A të drejtoj tek më i dituri i njerëzve të tokës për vitrin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?” -Ai tha: “Kush është ai?” -Tha: “Ajo është Aisha. Shko dhe pyet atë!” -Thotë: “Shkova tek ajo dhe i thashë: O nëna e besimtarëve, më trego për formën e vitrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)!” -Ajo tha: “Ne i përgatisnim atij enën e ujit dhe misvakun. Atë e ngrinte Allahu natën aq sa donte dhe ai pastronte gojën me misvak, merrte avdes dhe falte nëntë rekate pa qëndruar ulur ndërmjet tyre veçse pas rekatit të tetë, ku përmende Allahun, e lavdëronte Atë, dërgonte salavat mbi të Dërguarin e Tij[18] dhe bënte lutje, pastaj ngrihej në këmbë pa dhënë selam, pastaj falte rekatin e nëntë, pastaj qëndronte ulur, përmendte Allahun, e lavdëronte Atë, dërgonte salavat mbi të Dërguarin e Tij dhe bënte lutje, pastaj jetpe selam me zë të lartë saqë e dëgjonim. Pas dhënies së selamit falte dy rekate duke qëndruar ulur[19]. Të gjitha këto janë njëmbëdhjetë rekate, o bir!  Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u shty në moshë dhe e zuri mishi, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin në rekatin e shtatë dhe pastaj falte dy rekate ulur si në fillim. Të gjitha këto ishin nëntë rekate, o bir!”   

Këtë hadith e transmeton Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Nesai, Ibën Nasri, Bejhakiu dhe Ahmedi.

  1. Forma e gjashtë: Falja e “nëntë rekateve”; në gjashtë prej tyre nuk qëndron ulur veçse në të fundit, ku thua teshehudin dhe dërgon salavat mbi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ngrihesh pa dhënë selam dhe fal vitrin vetëm një rekat. Pastaj fal dy rekate duke ndenjur ulur. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e përmendëm më sipër.

Këto janë format me të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e natës dhe vitrin.

Këtyre mund tu shtohen edhe lloje të tjera duke pakësuar në çdo formë numrin e rekateve, madje lejohet të mjaftohesh vetëm me një rekat, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “…kush dëshiron, le ta falë vitrin me pesë rekate, kush dëshiron, ta falë me tre dhe kush dëshiron, ta falë atë me dy rekate!”   

Ky hadith është tekst i prerë në lejimin e të falurit e vitrit me një nga këto tre forma. Këto pesë rekate apo tre rekate të vitrit, nëse dëshiron, i fal me një ulje dhe një selam të vetëm, si në formën e dytë, dhe nëse dëshiron, i fal duke qëndruar ulur pas çdo dy rekatesh, pa dhënë selam, si në formën e katërt, dhe nëse dëshiron, jep selam pas çdo dy rekatesh dhe kjo është më e mira, si në formën e tretë e të tjera.

Hafiz Muhamed ibën Nasr el Mervezi, në librin “Namazi i natës” thotë: “Ajo që zgjedhim për atë që falet natën në muajin e Ramazanit apo në muajtë e tjerë, është që të japë selam pas çdo dy rekatesh. Po kështu edhe nëse dëshiron të falë tre rekate; në rekatin e parë lexon “Sebihisme rabikel-eala”, në të dytin lexon “Kul ja ejuhal kafirun”, pastaj thua teshehudin dhe jep selam. Pastaj ngrihesh dhe fal një rekat ku lexon Fatihanë dhe “Kul huvallahu ehad”, si dhe dy suret e fundit të Kuranit. [Pastaj përmendi disa prej formave të përmendura më sipër], pastaj tha: “Të gjitha këto janë të lejuara të veprohen dhe pasim i veprës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por zgjedhja jonë është ajo që thamë, pasi që kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për namazin e natës, ai u përgjigj: “Namazi i natës është dy e nga dy rekate.”

Kështu që ne kemi zgjedhur atë që vetë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka zgjedhur për popullin e tij, ndërsa lejimin e të vepruarit sipas veprës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kemi bërë për shkak se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk ka ndaluar nga ajo gjë.”

Pastaj thotë: “Tek ne, të punuarit sipas këtyre njoftimeve është e lejuar, me të gjitha ato dhe shumëllojshmëria e formave të tyre ka qenë për shkak se ato janë namaz vullnetar dhe në namazin vullnetar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk qëndronte në një formë të caktuar, siç e pamë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej herë në këtë formë e herë në një formë tjetër. Të gjitha këto janë të lejuara dhe të mira. Sa për të falurit e vitrit me tre rekate ne nuk kemi gjetur argument të qëndrueshëm nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai vetë e ka falur vitrin me tre rekate pa dhënë selam veçse në të fundit, ashtu si kemi gjetur për pesë rekatet, shtatë dhe nëntë rekatet. Ajo që kemi gjetur nga vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është se ai e fali vitrin me tre rekate, por nuk është përmendur dhënia e selamit në këtë transmetim.

-Pastaj përcolli me sened të saktë nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate, ku lexonte suret “Sebihisme rabikel eala”, “Kul ja ejuhal kafirun” dhe “Kul huvallahu ehad”.

-Pastaj thotë: Në temë ka hadith edhe nga Imran ibën Husajn, Aisha, Abdurrahman ibën Ebza dhe Enes ibën Malik.

-Thotë: “Këto njoftime janë të zymta dhe mundet që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ketë dhënë selam pas dy rekateve të parë nga këto tre rekate, pasi që lejohet të thuash për atë që fal dhjetë rekate duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh, se ai “ka falur dhjetë rekate” dhe hadithet e qarta të cilat nuk përmbajnë veçse një kuptim të vetëm, është më parësore që të pasohen dhe të argumentohesh me to, por ne na është përcjellë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai e ka lënë të lirë atë që dëshiron të falë vitrin, ndërmjet pesë, tre apo një rekat të vetëm, si dhe na është përcjellë gjithashtu nga disa sahabe se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e fali vitrin me tre rekate pa dhënë selam ndërmjet tyre. Kështu që të vepruarit sipas këtyre është e lejuar, ndërsa zgjedhja jonë është ajo që thamë.”

-Pastaj tha: “Tek ne lejohet që vitri të falet me një rekat, tre, pesë, shtatë dhe nëntë rekate, duke u mbështetur në transmetimet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa ajo që zgjedhim është ajo që thamë më parë. Në qoftë se dikush dëshiron të falë vitrin pas namazit të darkës, por dëshiron ta falë vetëm me një rekat, ajo që preferojmë për të është që ta paraprijë atë rekat me dy rekate nafile apo më shumë, por nëse nuk e bën këtë dhe fal vetëm një rekat, kjo gjë është e lejuar. Na është përcjellë nga disa prej sahabeve se ata e kanë bërë këtë gjë, ndërsa Maliku e të tjerë nuk e kanë pëlqyer këtë gjë, por shokët e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë më parësorë për tu ndjekur.”

-Pastaj tha: “Për mospëlqyeshmërinë e faljes së vitrit me tre rekate janë përcjellë disa transmetime nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga shokët e tij, e tabiinët. Prej tyre është [pastaj përmendi fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos e falni vitrin me tre rekate, sepse ashtu i përngjet namazit të akshamit, por falni pesë…”] Por siç e pamë, senedi i këtij hadithi është i dobët, megjithatë atë e ka përcjellë Tahaviu e të tjerë me rrugë tjetër me sened të saktë. Por në pamje të parë ky hadith kundërshton hadithin e Ebu Ejubit ku thuhet: “Dhe kush dëshiron, le ta falë vitrin me tre rekate”. Bashkimi ndërmjet këtyre haditheve është që ndalesa të drejtohet për nga falja e tre rekteve me dy teshehude, sepse në këtë rast ai i përngjet namazit të akshamit, por nëse qëndron ulur veçse në fund të tyre, në këtë rast nuk ka përngjasim. Këtë domethënie e ka përmendur edhe Ibën Haxheri në “Fet’h”, ndërsa Saneani e ka konsideruar të mirë në “Subulus selam”.

Mënyra më e mirë për largimin e të përngjasuarit e namazit të vitrit me atë të akshamit është ndarja e çiftit të tij nga teku me selam. Për këtë arsye, Ibën El Kajim në “Zadul miad”, pas përmendjes së hadithit: “Nuk jepte selam në dy rekatet e vitrit”, thotë:

“Kjo formë është e diskutueshme, pasi që Ebu Hatim ibën Hiban ka transmetuar në “Sahihun” e tij, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!); nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos e falni vitrin me tre rekate, por faleni me pesë apo shtatë rekate dhe mos e përngjasoni atë me namazin e akshamit!”

Darakutni thotë: Të gjithë transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

Mehna thotë: Pyeta Ebu Abdullahin (d.m.th. imam Ahmedin) se ç’farë thua për faljen e vitrit; a jep selam pas dy rekateve? -Ai tha: “Po”. -Thashë: Ku bazohesh për këtë? -Ai tha: Hadithet që e thonë këtë janë më të forta dhe më të shumta nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

El Harith thotë: “Është pyetur imam Ahmedi për vitrin dhe ai tha: “Duhet të japësh selam pas dy rekateve, por nëse nuk jep selam, shpresoj të mos e dëmtojë atë (quajtjen e namazit), por dhënia e selamit është më e qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Nga e gjitha kjo që kaloi, dalim në përfundimin se të falurit e vitrit me cilëndo prej këtyre formave është e lejuar dhe e mirë, ndërsa për faljen e tij me tre rekate dhe dy teshehude, nuk ka ardhur hadith i saktë e i qartë, madje nuk shpëton nga mospëlqyeshmëria e tij.

Për këtë arsye, ne zgjedhim mosqëndrimin ulur ndërmjet çiftit dhe tekut, por nëse qëndron, duhet të japësh selam dhe kjo është forma më e mirë, siç e pamë më sipër.

Allahu është Ai që jep sukses, e nuk ka Zot tjetër përveç Atij.

 


 

  1. Nxitja për faljen sa më mirë të namazit dhe kërcënimi për të kundërtën

 

O ti lexues i nderuar! Ti tani je në muajin e agjërimit e të faljes natën, në muajin e begatë të Ramazanit. Kështu që ti duhet të jesh në të shembulli i besimtarit të mirë, të bindur ndaj Zotit të tij dhe pasues i rrugës së të Dërguarit të Tij në të gjitha ato që atij i kanë zbritur nga Zoti i tij, e veçanërisht në lidhje me kryerjen e këtij adhurimi madhështor, namazin e teravive.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë për to: “Kushdo që ngrihet dhe falet (teravitë) në Ramazan, me besim dhe duke llogaritur shpërblimin e Allahut, atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”

Këtë hadith e transmetojnë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) e të tjerë.

Në këtë broshurë ti ke mësuar diçka të dobishme në lidhje me formën e namazit të natës që bënte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për nga falja e tij në mënyrë sa më të përsosur dhe me rekate të gjata, si fjala e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “…Falte katër rekate, dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj falte katër rekate të tjera dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre.”

Po ashtu fjala e saj: “Qëndronte në sexhde aq kohë sa dikujt prej jush i duhet për të lexuar pesëdhjetë ajete.”

Apo si fjala e Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “… pastaj lexoi suren Bekare (d.m.th: në rekatin e parë), pastaj bëri rukunë, e cila ishte e gjatë sa qëndrimi në këmbë.” Pastaj përmendi ngritjen pas rukusë dhe sexhden në të cilat qëndronte gjithashtu gjatë.

Mësove gjithashtu se në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) njerëzit e zgjasnin leximin në namazin e teravive dhe lexonin deri në treqind ajete, saqë mbështeteshin mbi bastun nga qëndrimi i gjatë në këmbë, dhe nuk e mbaronin namazin veçse me hyrjen e agimit.

Ky duhet të jetë nxitës i fortë për të gjithë ne që të përpiqemi sa të mundemi ta afrojmë namazin tonë të teravive me namazin e tyre. Ta zgjasim leximin, të bëjmë sa më shumë tesbih e tahmid në ruku e në sexhde, si dhe ndërmjet tyre, ashtu që të ndjejmë sadopak frikërespektin ndaj Allahut i cili është shpirti i namazit dhe loçka e tij. Atë frikërespekt të cilin e kanë humbur shumë prej atyre që e falin këtë namaz (të teravive) për shkak të mosdaljes së tyre nga numri “njëzet”, i supozuar nga Umeri dhe në të cilin nuk kujdesen për qetësinë e frikërespektin, por e kryejnë atë sikur pula që ha grurë, sikur të ishin vegla e mjete që lëvizin lartë e poshtë në mënyrë automatike, gjë e cila nuk u jep mundësi atyre që të meditojnë në Fjalën e Allahut që ata dëgjojnë, madje ndjekja e imamëve në faljen e teravive është e vështirë të bëhet, veçse me përpjekje dhe lodhje!

E them këtë duke qenë i vetëdijshëm se ekzistojnë edhe një numër jo i vogël imamësh të xhamive në këto kohët e fundit, të cilët e kanë perceptuar këtë fakt të kequshtrimit të faljes së teravive, kështu që u kthyen në faljen e tyre me njëmbëdhjetë rekate dhe me një lloj qetësie e frikërespekti në to. Allahu ua shtoftë atyre suksesin në të vepruarit sipas sunetit dhe në ringjalljen e tij, si dhe i shtoftë imamët si ata në Damask dhe në vendet e tjera të Muslimanëve!

 


 

Hadithet nxitëse për përmirësimin e kryerjes së namazit dhe kërcënuese për të kundërtën e kësaj

 

Për të kurajuar edhe më shumë këta imamë që të vazhdojnë në përmirësimin e faljes së namazit, si dhe për të paralajmëruar ata që nuk janë të kujdesshëm në faljen e namazit të teravive e namazeve të tjera, po paraqesim disa hadithe të sakta të ardhura pikërisht për këtë:

  1. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se një burrë hyri në xhami dhe filloi të falej, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në një qoshe të xhamisë. Më pas ai erdhi te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i dha selam. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Ue alejkes selam. Kthehu të falesh sepse ti nuk je falur!” –Ai u kthye të falej, pastaj erdhi dhe dha selam. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ue alejkes selam. Kthehu të falesh sepse ti nuk je falur!” –Në të tretën herë ai i tha: “Atëherë më mëso!” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kur të ngrihesh për tu falur, merr avdes mirë e mirë, pastaj kthehu nga Kibla dhe thuaj “Allahu ekber”. Pastaj lexo sa të mundesh nga Kurani, pastaj bier në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrije kokën prej rukusë derisa të drejtohesh plotësisht, pastaj bier në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrije kokën nga sexhdja dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh, pastaj bier në sexhde derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu dhe drejtohu plotësisht. Pastaj vepro kështu në të gjithë namazin tënd!”

Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi e të tjerë.

  1. Transmetohet nga Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Burrit (njeriut) nuk i vlen namazi derisa ta drejtojë shpinën në ruku dhe në sexhde.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Nesai, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Ed Darimi, Tahaviu në “El Mushkil”, Et Tajalisi, Ahmedi dhe Darakutni i cili thotë: “Senedi i këtij hadithi është i qëndrueshëm, i saktë.” Dhe ai është ashtu si ka thënë.

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai njeri i cili vjedh namazin e vet.” –Thanë: “O i Dërguari i Allahut, si mund të vidhet namazi?” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Duke mos e plotësuar rukunë dhe sexhden e tij”.

Këtë hadith e ka nxjerrë El Hakim dhe e ka quajtur të saktë. Atë e ka aprovuar edhe Dhehebiu. Ky hadith ka edhe një dëshmues tjetër nga hadithi i Ebu Katades, si dhe një tjetër tek imam Maliku; nga En Neuman ibën Murrah, senedi i të cilit është Sahih, Mursel (i ndërprerë).

Gjendet gjithashtu një dëshmues i tretë tek Et Tajalisi; nga Ebu Seidi, të cilin Sujuti e ka quajtur të saktë në librin “Tenvir el havalik”

  1. Transmetohet nga Umera el Exhnad; nga Amër ibën El Asi, Halid ibën El Velid, Sherahbil ibën Hasne dhe Jezid ibën Ebu Sufjan, kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa një burrë i cili nuk e plotësonte rukunë e tij dhe e bënte sexhden sikur çukiste (shpejt). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sikur ky të vdesë në këtë gjendje, do të vdesë jo në popullin e Muhamedit. Ai çukit në sexhde ashtu si çukit korbi gjakun. Shembulli i atij që nuk e plotëson rukunë dhe e bën sexhden sikur çukit në tokë, është si shembulli i atij të uriturit i cili ha një apo dy kokrra hurma, por që nuk i bëjnë dobi asgjë.”

Këtë hadith e transmeton El Axhurri në “Dyzet hadithet” dhe Bejhakiu me sened të mirë (Hasen). El Mundhiri thotë: Atë e ka transmetuar Taberani në “El Kebir”, Ebu Jeala me sened të mirë dhe Ibën Huzejme në “Sahihun” e tij.

  1. Transmetohet nga Talk ibën Ali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu nuk vështron në namazin e atij njeriu që nuk e drejton shpinën ndërmjet rukusë dhe sexhdes (kur kalon nga rukuja në sexhde).”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi, Taberani në “El Kebir” dhe Ed Daja el Makdesi në “Të zgjedhurat”. Senedi i këtij hadithi është i saktë dhe ai ka një dëshmues tjetër në “Musnedin” e imam Ahmedit, transmetuesit e të cilit janë të besueshëm. Edhe hafiz El Iraki e ka quajtur të saktë në “Tahrixh el Ihja”. Ndërsa El Mundhiri thotë: “Senedi i tij është i mirë”.

  1. Transmetohet nga Amar ibën Jasir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Ka të ngjarë që njeriu ta falë namazin dhe të mos i shkruhet atij veçse një e dhjeta e tij, ose një e nënta e tij, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, apo gjysma e tij.”[20]

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Ahmedi me dy rrugë të ndryshme nga ai (Amari), njërën prej të cilave e ka saktësuar hafiz El Iraki dhe e ka nxjerrë Ibën Hibani në “Sahihun” e tij, siç thuhet në “Et Tergib”.

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Esh Shihir se ka thënë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte duke u falur dhe në brendësinë e trupit të tij ndjehej një zë si vlimi i tenxheres, d.m.th: qante.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Nesai, Bejhakiu dhe Ahmedi me sened Sahih sipas kushteve të Muslimit. Atë e transmeton gjithashtu Ibën Huzejme dhe Ibën Hibani në dy “Sahihat” e tyre, siç thuhet në “Sahih et tergib uet terhib”.

Këto hadithe të ndershme përfshijnë me pakufizimin dhe përgjithshmërinë e tyre të gjitha namazet, qofshin ato të detyrueshme apo vullnetare, natën apo ditën. Dijetarët kanë tërhequr vërejtje të posaçme për këtë gjë në lidhje me teravitë, siç ka thënë p.sh. Neveviu në “El Edhkar”:

“Mënyra e namazit është e njëjtë për të gjitha namazet, në formën që përshkruam më parë. Këtu përfshihen edhe duatë e përmendura më parë, si duaja e hapjes së namazit, vazhdimi me duatë e tjera, plotësimi i teshehudit dhe duasë pas tij, e dua të tjera të cilat i përmendëm më parë. Megjithëse kjo është diçka e qartë dhe dukshme, unë tërhoqa vërejtjen për të, për arsye se shumë njerëz i kanë përçmuar këto dhe i kanë hequr nga përdorimi shumë prej tyre, ndërkohë që e sakta është ajo që thamë.”

Ndërsa El Amiri në librin “Behxhetul Mehafil…”, nga fundi i librit thotë: “Prej detyrave të domosdoshme që na ngarkohen është përkujdesja dhe tërheqja e vërejtjes për atë që kanë bërë zakon shumë imamë të njerëzve që falin teravitë, prej shkallëzimit në leximin në to (leximit të paktë) dhe zhvleftësimit në shtyllat e tij, e heqjen e duave në to, ndërsa dijetarët kanë thënë: “Forma e tyre (teravive) është si forma e namazeve të tjera në lidhje me shtyllat e namazit dhe pjesët e tjera përbërëse të tij, si dhe të gjitha duatë që bëhen në të. Prej gabimeve të tyre është edhe zgjedhja e ajeteve të mëshirës me qëllim që të bienë në ruku pas tyre, gjë e cila mund ti shpjerë të gabojnë në dy gjëra të rëndësishme prej rregullave të namazit dhe të leximit në të. Ato dyja janë zgjatja e rekatit të dytë më shumë se të parin dhe të qëndruarit në fjalët që janë të lidhura me ato pas tyre në domethënie. Shkaku i të gjitha këtyre është zhvleftësimi i suneteve të namazit dhe zhdukjen e tyre si rezultat i praktikimit të paktë të tyre, saqë praktikuesi i tyre është bërë si i huaj në mesin e njerëzve ngaqë ai vepron ndryshe nga pjesa dërmuese e njerëzve dhe kjo për shkak të prishjes së kohës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka për tu bërë kijameti derisa e mira të quhet e keqe dhe e keqja të quhet e mirë.”

Kështu që përmbaju sunetit, kërkoja këtë vetes tënde dhe urdhëro me të ata që të dëgjojnë, ashtu që të shpëtosh, të fitosh dhe të gëzosh.

Zotëria i nderuar, Ebu Ali el Fudajl ibën Ijad (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Mos të të frikësojë rruga e drejtë për shkak të numrit të pakët të pasuesëve të saj dhe mos u mashtro nga numri i madh i të shkatërruarëve!”

 


 

Konspekti i broshurës

 

Temat e kësaj broshure zgjatën më tepër nga ç’mendomin, por kjo ishtë diçka pa të cilën nuk mund të bënim, pasi që kjo është metoda akademike në verifikimin e njohurive. Kështu që pamë të arsyeshme që në mbyllje të kësaj broshure ti paraqesim lexuesit të nderuar një përmbledhje të saj, me qëllim që të mbetet në mendjen e tij dhe ta ketë të lehtë ta perceptojë dhe të punojë sipas tij –insha Allahu-.

Kjo broshurë mund të përmblidhet si më poshtë:

Falja e teravive me xhemat është sunet dhe nuk është bidat, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë këtë gjë disa netë, ndërsa lënia e tij pas kësaj ka qënë për shkak të frikës se ndokush nga populli i tij do të mendonte se ato janë farz, nëse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të vazhdonte ti falte ato me xhemat. Por kjo frikë u hoq me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka falur teravitë me njëmbëdhjetë rekate, ndërsa hadithi që thotë se ai i fali ato me njëzetë rekate është shumë i dobët.

Nuk lejohet të shtuarit më shumë se njëmbëdhjetë rekate, pasi që kjo do të thotë të asgjësohet vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të shfuqizohet fjala e tij: “Faluni ashtu si më shihni mua të falem!” Për këtë arsye nuk lejohet të shtohet në numrin e suneteve të sabahut, etj.

Ne nuk e konsiderojmë bidatçi dhe as të humbur atë që i fal teravitë me më shumë se njëmbëdhjetë rekate, nëse atij nuk i është bërë i qartë suneti dhe nëse nuk ndjek dëshirat e tij.

Nëse thuhet se të shtuarit në numrin e tyre është e lejuar, nuk ka dyshim se më e mira është të qëndrohet në atë numër, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit.”

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ka shpikur ndonjë të re në namazin e teravive, por ai ka ringjallur sunetin e të falurit e tyre në kolektiv dhe ka ruajtur numrin e ardhur në sunet për to. Ndërsa ajo që është transmetuar nga ai në lidhje me të shtuarit në numrin e tyre deri në njëzetë rekate, rrugët e transetimit të kësaj nuk janë të sakta dhe ato janë nga lloji që nuk mund ta përforcojnë njëra-tjetrën. Për dobësinë e tyre ka folur edhe Shafiu dhe Tirmidhiu. Disa prej atyre rrugëve i ka dobësuar edhe Neveviu, Ez Zejlei e të tjerë.

Sikur të qëndronte shtesa e përmendur, të punuarit me të sot nuk është obligim, sepse ajo ka qënë për arsye të veçanta të cilat nuk janë më. Ndërsa të vazhduarit sipas saj i ka çuar njerëzit në shumicën e rasteve që të shpejtojnë në kryerjen e namazit dhe të humbasin frikërespektin në të, madje edhe vetë namazin ndonjëherë!

Mosmarrja jonë për bazë të shtuarit në numrin e teravive është njësoj si mosmarrja e gjykatësve të gjykatave që gjykojnë sipas sheriatit Islam, mendimin e Umerit për konsiderimin e divorcit të shprehur tre herë si divorc të trefishtë (të pakthyeshëm), pa asnjë dallim, madje zgjedhja jonë është më parësore se ajo e tyre edhe në vështrimin e imituesëve (popullit të thjeshtë).

Nuk qëndron se ndokush prej sahabeve t’i ketë falur teravitë me njëzetë rekate, madje Tirmidhiu ka thënë se një transmetim i tillë nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është i dobët.

Nuk ekziston ndonjë unanim për këtë numër (njëzet rekate).

Është e detyrueshme të kapurit për numrin e bërë rrugë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që ai është i qëndrueshëm nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga Umeri, dhe ne jemi të urdhëruar që të pasojmë sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe sunetin zëvendësve të tij të drejtë.

Imam Maliku, Ibën El Arabi e dijetarë të tjerë e kanë refuzuar shtesën (mbi njëmbëdhjetë rekate) në numrin e teravive.

Refuzimi i kësaj shtese nuk do të thotë kundërvënie ndaj imamëve të mëdhenj të cilët e kanë marrë në konsideratë atë, ashtu si dhe nuk do të thotë dyshim në dijen e tyre, apo ngritje të kundërshtarit të tyre në dije e perceptim.

Edhe pse të shtuarit mbi njëmbëdhjetë rekate në numrin e teravive nuk lejohet, por të pakësuarit në to është e lejuar, deri edhe në të mjaftuarit me një rekat të vetëm, për arsye se diçka e atillë ekziston në sunet dhe e kanë vepruar selefët.

Format në të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur vitrin janë të gjitha të lejuara, ndërsa më e mira prej tyre është më e shumta në numër dhe duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh.

Ky është përfundimi i asaj që më mundësoi Allahu i Lartësuar të mbledh për “namazin e teravive”. Nëse kam pasur sukses për qëllimin e të vërtetës në të, Mirësia i takon vetëm Allahut të Lartësuar, dhe përsëri Atij i takon Mirësia dhe falenderimi edhe nëse është ajo tjetra (mosqëllimi i të vërtetës). Unë shpresoj nga çdokush që qëndron në ndonjë gabim (gjen gabime) në këtë broshurë, të na drejtojë tek ajo dhe shpërblimi i tij është tek Allahu i Lartësuar.

I Lartë nga të metat je Ti, o Zot dhe Ty të takon falenderimi. Dëshmoj se nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Teje. Kërkoj falje dhe pendim prej Teje!

Salavati (lavdërimi) i Allahut dhe paqja e Tij qofshin mbi Muhamedin, pejgamberin analfabet, mbi familjen dhe shokët e tij!

Lutja jonë e fundit është “El hamdu lilahi rabil alemin”!

 


[1] Vërejtje: Prej provave argumentuese për mosekzaktësinë e atyre autorëve në përcjelljen e fjalëve të marra nga librat e të tjerëve, është se kur ata argumentuan me ndarjen që i ka bërë El ibën Abduselam bidatit, në pesë lloje, ata kanë përmendur vetëm të gjitha llojet e tjera përveç bidatit të urryer. Pra, ata e kanë fshirë qëllimisht fjalën e Ibën Abuselamit, e cila ka të bëjë me shembujt për bidatin e urryer, ndërsa ai (Ibën Abduselami), në librin “El Kavaid”, thotë: “Prej shembujve të bidateve të urryera është edhe zbukurimi i xhamiave dhe stolisja e Kuranëve.”

Sigurisht që nuk duhet shumë meditim nga lexuesi për të mësuar shkakun shtytës të këtyre autorëve që ata t’a fshinin këtë fjali nga fjala e El Iz ibën Abduselamit, sidomos nëse lexuesi e kujton atë me të cilën është mburrur autori i librit “Shënjestra…” dhe mbartësi i përgjegjësisë së madhe të saj, në ballinën e së cilës, poshtë emrit të autorit është shënuar: “Imami i xhamisë Er Rauda në Damask”. Vetë xhamia e tij është zbukuruar e stolisur së tepërmi, duke besuar se diçka e tillë është adhurim, për shkak se autorë të tillë heshtin dhe e fshehin dijen, nëse dinë në të ëërtetë. Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë të vërtetën kur ka thënë: “Si do të jetë puna me ju kur t’ju pushtojë ndonjë sprovë (fitne) në të cilën plaket i madhi dhe rritet i vogli, [e njerëzit e marrin këtë për sunet – shembull] , sa që nëse lihet diçka prej tyre, do të thuhet: “U la një sunet”. –Ata që ishin present thanë: “Kur do të jetë kjo gjë?” –Kur të shkojnë (të vdesin) dijetarët tuaj, të shtohen lexuesit tuaj, të pakësohen fukahat – dijetarët e fikhut të cilët e kuptojnë fenë-, të shtohen princat tuaj, të pakësohen besnikët, të kërkohet dynjaja me punët e botës tjetër dhe kur të thelluarit në dije e kuptim të bëhet jo në shkencat e fesë.” [E transmeton Ed Darimi me dy zinxhirë transmetuesish; një të saktë e një të mirë.]

Por ky ether-fjalë e Sahabiut, edhe pse është meukuf-i mbetur te Ibën Mesudi nga fjala e tij, por ai merr gjykimin e hadithit të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi çdo fjalë e tij është vërtetuar, siç e shohim me sytë tanë dhe veçanërisht për sa i përket sunteve dhe bidateve. A nuk i gjen njerëzit më të kujdesshëm për ndjekjen e sunetit dhe luftimin e bidatit, që të akuzohen nga kundërshtarët e tyre se ata bëjnë bidate dhe e lënë sunetin?! Dhe kjo vetëm sepse ata e kundërshtojnë dhe e refuzojnë atë që kanë shpikut njerëzit prej bidateve dhe të kapurit për to, duke besuar se ato janë sunet. Pikërisht kjo broshurë e tyre “Shënjestra…” është shembulli më i qartë për këtë.

Ku janë këta që pretendojnë ndihmën dhe përkrahjen e sahabeve, nga fjala e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ai urdhëroi për zgjerimin e Xhamisë së Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Shiko të ruash njerëzit nga shiu dhe në asnjë mënyrë të mos ngjyrosësh me të kuqe a me të verdhë (mos e zbukuro atë)!” Apo nga fjala e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Keni për t’i zbukuruar ato (xhamitë) ashtu si i zbukuruan çifutët dhe të krishterët.” [Të dy këto i transmeton Buhariu në shënimet e Sahihut të tij (1/427-248)]. Dhe nuk dihet të ketë ndonjë kundërshtues të këtyre dy sahabeve prej sahabeve, në këtë çështje.

Atëherë le t’a tregojnë këta autorë përkrahjen e tyre të sahabeve në refuzimin dhe ndalimin nga të zbukuruarit e xhamiave dhe të sqarojnë se =kjo gjë është prej bidateve, ashtu si ka bërë El Iz ibën Abduselam dhe dijetarë të tjerë përveç tij, nëse janë të sinqertë në përkrahjen e tyre të sahabeve! Në të kundërt, njerëzit tashmë e kanë të qartë se ata nuk e kanë shkruar broshurën e tyre, veçse për të kënaqur njerëzit dhe në pajtim me atë që ata veprojnë!

[2] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, En Nesai, El Ferjabi në librin “Agjërimi”, Ibën Nasri dhe Ahmedi. Ndërsa teksti i përmendur është i  këtyre dy të fundit.

[3] D.m.th: Të bashkuarit në xhami për faljen e namazit të teravive herët në fillim të natës është më i preferuar tek ai se të falurit vetëm, duke e vonuar namazin deri në fund të natës, edhe pse vonimi ka vlerë të veçantë, por falja me xhemat (në kolektiv) në Ramazan është më e mirë sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e veproi këtë gjë në ato netë që u fal me njerëzit në xhami, siç e pamë në hadithin e Aishes e të tjerëve. Për këtë shkak, sipas kësaj kanë vepruar muslimanët që nga koha e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e deri më sot.

 

[4] Në një transmetim tjetër të Ibën Ebi Shejbe, Muslimit, etj, thuhet: “Numri i rekateve të namazit të natës që falte i Dërguari i Allahut  (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan e në muajt e tjerë ishte trembëdhjetë rekate, prej të cilave ishin edhe dy rekatet e sabahut (sunetet).”

Por në një transmetim tjetër të Malikut, nga i cili e ka marrë edhe Buhariu e të tjerë, thuhet se Aisha (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  falte trembëdhjetë rekate natën, pastaj falte dy rekate (sunete) të lehta  kur dëgjonte ezanin e sabahut.”

El Hafidh (Ibën Haxheri) thotë: Në kuptim të parë, ky hadith kundërshton atë të parin, por ky kuptohet duke thënë se ajo ka llogaritur edhe dy rekatet sunete të namazit të jacisë, për shkak se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i falte ato në shtëpinë  e tij, ose mund të jenë ato dy rekatet e lehta me të cilat hapte namazin e natës, siç ka ardhur në hadithin që transmeton Muslimi, nga Aisha (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin e natës me dy rekate të lehta.”

Gjithësesi, bashkimi që ka zgjedhur Ibën Haxheri, se transmetimi i Malikut ka ardhur i sqaruar në lidhje me dy rekatet e lehta, përkrahet edhe nga ajo që transmetohet nga Zejd ibën Halid el Xhuheni se ka thënë: “Këtë natë do të përgjoj namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  fali dy rekate të lehta, pastaj fali dy rekate të gjata, të gjata, të gjata. Pastaj fali dy rekate por jo aq të gjata sa dy të parat. Pastaj fali dy rekate por jo aq të gjata sa ato dy para atyre. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa ato para tyre. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa ato para tyre. Pastaj fali vitrin një rekat dhe me të u plotësuan trembëdhjetë rekate.”

Këtë hadith e transmeton Maliku dhe nga ai e ka marrë Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi dhe Ibën Nasr.

Them: Unë mendoj se këto dy rekate të lehta mund të jenë dy sunetet e namazit të Jacisë, madje kjo është ajo që kuptohet në vështrim të parë. Kjo sepse unë nuk kam gjetur ndonjë transmetim që t’i përmend ato bashkë me këto trembëdhjetë rekate, por kam gjetur atë që e përkrah këtë që thashë. Kam për qëllim hadithin e transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!)  se ai ka thënë: “U kthyem nga Hudejbija bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur mbërritëm në Sukja (fshat mes Mekës dhe Medines), i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit të falej dhe Xhabiri qëndroi në krah të tij. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali namazin e darkës dhe pastaj fali trembëdhjetë rekate.” E transmeton Ibën Nasr.

Ky hadith është si tekst i prerë se sunetet e jacisë përfshihen në trembëdhjetë rekatet (e namazit të natës). Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm, përveç Sherhabil ibën Sead, në të cilin ka dobësi.

[5] D.m.th: me një selam të vetëm në fund të tyre. Neveviu, në Sherhun e “Sahihu Muslim”, thotë: “Kjo tregon lejueshmërinë e kësaj gjëje, por më e preferuar është që të jepet selam pas çdo dy rekatesh. Kjo është edhe ajo që njihet nga vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga urdhëri i tij që namazi i natës të falet me dy e nga dy rekate.”

Them: Ai e ka thënë të vërtetën, Allahu e mëshiroftë!

[6] “El Ibdau fi Medari el Ibtidai”, i Ali Mahfudh (21-22). Ky është një libër shumë i dobishëm, të cilin duhet ta lexojë çdokush që dëshiron të mësojë për bidatet në Fe dhe realitetin e tyre.

[7] “El Ibdau fi Medari el Ibtidai” (15).

[8] Hadithi i transmetuar për vlerën e të lexuarit të Fatihasë me një frymë të vetme është i shpikur dhe i trilluar, edhe nëse atë e pëshpërisin disa njerëz që mbahen për të ditur.

[9] Transmeton Muslimi (4/173-174) e të tjerë; nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në kohën e qeverisjes së Ebu Bekrit dhe dy vjet nga qeverisja e Umerit, divorci i shprehur tre herë llogaritej një divorc. Ndërsa Umeri tha: Njerëzit po e shpejtojnë atë për të cilën kanë pasur kohë të mendohen mirë (pas divorcit të parë dhe të dytë kanë pasur kohë që ta kthejnë gruan e tyre), kështuqë po ua llogarisim atë divorc të trefishtë. Dhe kështu e vuri ligj këtë.”

[10] Tamam ashtu si kanë bërë me ne (thotë shejh Albani), edhe pse ne në fakt nuk e kemi kundërshtuar Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por kemi rënë dakord me të në transmetimin e saktë nga ai, ndërsa transmetimi i njëzetë rekateve nuk qëndron, siç e pamë më parë.

[11] Shejh Albani thotë: Këtë e ka përcjellë Ibën Nasr (f. 90) me shprehjen: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) heshti dhe kjo ishte si pëlqim për të.” Senedi i këtij hadithi mund të arrijë gradën e hadithit Hasen sipas meje, dhe Allahu e di më mirë.

[12] Ky libër është shumë me vlerë. Autori i tij, imami dhe hafizi Muhamed ibën Nasr el Mervezi ka ruajtur për ne në të shumë hadithe dhe gjurmë të sahabeve, shumica e të cilave ndoshta nuk mund të gjenden në librat e tjerë. Por shumë prej dobive të tij na i ka hequr përmbledhësi i atij libri, dijetari i madh El Mukrini, i cili ka hequr disa transmetime të tij. Ky libër është botuar në Indi.

[13] Më pas vura re se El Ajni e kishte përmendur senedin e tij në librin “El Umdeh” (5/357) të përcjellë nga Ibën Nasri. Aty m’u bë e qartë se rruga e transmetimit deri te Eamashi ishte e saktë, kështu që ishte e detyrueshme që këtë ta bëja të qartë dhe të mjaftohemi me dobësinë e tij për shkak të ndërprejes apo rrëzimit të dy transmetuesëve.

[14] Këto fjalë i ka përmendur El Ajni (5/356-357) dhe tha se mendimi i fundit është zgjedhja e Malikut dhe po atë ka zgjedhur edhe Ebu Bekër ibën El Arabi. Fjala e këtyre dyve do të vijë së shpejti kur të flasim për të shtuarit në numrin e teravive mbi (11) rekate.

[15] Ky hadith nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) na tregon atë që është përcjellë nga ajo në një hadith tjetër se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate. Ajo ka për qëllim se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate dhe para tyre falte katër rekate (nafile, namaz nate). Et Tahavi ka përcjellë me sened të saktë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Vitri ishte me shtatë rekate, pesë ose tre rekate.” Prandaj unë nuk pëlqej që të falet vitri me tre rekate pa u paraprirë me rekate të tjera para tyre.”

Shejh Albani thotë: Nisur prej këtu, të argumentuarit e hanefive me hadithin tjetër –nëse ai është i saktë-, se namazi i vitrit është me tre rekate, ai hadith nuk shpëton nga të pasurit dobësi. Por për lejimin e të falurit e vitrit me tre rekate argumenton hadithi i Ebu Ejubit, i cili është përmendur më sipër pas hadithit të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), por ata (hanefitë) nuk e marrin për bazë këtë hadith sepse ai shpreh qartë për lejimin e faljes së vitrit me një rekat të vetëm, ndryshe nga medhhebi i tyre!

[16] Them: Zgjedhja e Bejhakiut e disa të tjerëve fjalën se ky hadith është meukuf (i pangritur tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kjo fjalë është e pajustifikueshme, sepse atë e kanë përcjellë të ngritur një grup i konsiderueshëm transmetuesish të besueshëm dhe ngritja është njohuri më tepër e cila duhet të pranohet, siç është e aprovuar në shkencën e hadithit.

Ndërsa hadithi që thotë: “Mos e falni vitrin me tre rekate, sepse ashtu i përngjet namazit të akshamit, por faleni atë me pesë rekate, ose shtatë, ose nëntë, ose njëmbëdhjetë, ose më shumë se kaq!” Këtë hadith e ka transmetuar Ibën Nasr, El Hakim dhe Bejhakiu; nga Tahir ibën Amër ibën Rabij; me senedin e tij nga Jezid ibën Habib; nga Arak ibën Malik; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!); të ngritur te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Në të përmendet kjo shtesë: “ose më shumë se kaq” e cila është e refuzuar. As El Hakim nuk e ka konsideruar të saktë atë, megjithë dorëlëshimin e tij në saktësimin e haditheve, dhe ia ka qëlluar. Kjo sepse për Tahirin e përmendur në të nuk kam gjetur asnjë përmendje në librat e biografive të transmetuesëve, qoftë në ato të botuarat apo dorëshkrimet. Këtë hadith e ka transmetuar gjithashtu Tahaviu me rrugë tjetër nga Xheafer ibën Rabij’ah; nga Araku; të ngelur te Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe pa atë shtesë. Po, atë e ka transmetuar gjithashtu Tahaviu dhe Darakutni me një rrugë tjetër nga Ebu Hurejra; të ngritur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por pa atë shtesë. Kështu që vërtetohet refuzimi i saj sepse senedi i këtij është i saktë. El Hakim ka thënë për këtë hadith (pa shtesën): “I saktë sipas kushteve të dy shejhave.” Atë e ka përkrahur edhe Dhehebiu.

Por kuptimi i drejtpërdrejtë i këtij hadithi bie në kundërshtim me hadithin e transmetuar nga Ebu Ejub për të falurit e vitrit me tre rekate, por në fakt ndërjet tyre nuk ka kundërshtim, siç do ta sqarojmë më pas –inshaAllahu-.

[17] Me këtë bëhet e qartë se përcjellja e disa hanefive fjalën se muslimanët kanë rënë në unanim për të qenurit e vitrit me tre rekate, nuk është e vërtetë. Këtë fjalë e ka kundërshtuar gjithashtu Ibën Haxheri në “Fet’hul bari” (2/385).

[18] Kjo është një dobi e rëndësishme në të cilën tregohet qartë se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  dërgonte salavat mbi veten e tij dhe se këtë gjë ai e bënte në teshehudin e parë, ashtu si dhe në teshehudin e fundit. Atëherë a i lejohet muslimanit që ta lërë dërgimin e salavateve mbi të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në teshehudin e parë, pasi që medhhebi i tij thotë se salavatet në teshehudin e parë nuk janë të pëlqyeshme, apo janë të ndaluara! Ndërkohë që është e njohur tek dijetarët se  nuk ka dallim në rregullat e namazit farz nga ai vullnetar, veçse me argument, i cili në rastin tonë mongon.

[19] Këto dy rekate pas faljes së vitrit në pamje të parë bienë në kundërshtim me fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Fundin e namazit tuaj bëjeni tek (vitrin)!” të cilin e transmetojnë dy shejhat e të tjerë. Për këtë shkak dijetarët janë kundërshtuar në bashkimin ndërmjet këtyre haditheve dhe kanë thënë disa fjalë, prej të cilave nuk kam zgjedhur asnjërën si më të saktë. Më e paqshme është të qëndruarit në këtë fjalë të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sepse ajo është ligj i përgjithshëm, ndërsa vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mund të jetë e veçantë me të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe Allahu e di më mirë.

[20] Ka për qëllim të thotë se kjo është në varësi të njerëzve sipas frikërespektit që kanë në namazin e tyre. “Fejdu el Kadir”, i El Menavi.