Kapitulli i Agjërimit

 


Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


AGJËRIMI (ES-SIJAM)

Sijam në përgjithësi do të thotë “të ndalohesh nga diçka”. Për shembull, një ajet kuranor thotë: “Unë i kam dhënë besën Allahut të mëshirshëm të ndalohem”, që në këtë rast do të thotë të mos flasë. Ajo çfarë nënkuptohet këtu nga agjërimi është ndalimi nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit, me qëllim vetëm për hir të Allahut.

 

Vlera e agjërimit

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: Biri i Ademit (njeriu) çdo vepër e bën për vete, përveç agjërimit, që është vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë. Nëse dikush agjëron, ai nuk duhet të flasë fjalë të këqija, nuk duhet ta ngrejë zërin apo të sillet në mënyrë jo korrekte. Nëse dikush e ofendon dhe e gjuan, ai duhet të thotë: “Unë agjëroj” dy herë. Betohem ne Atë, në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit tek Allahu në Ditën e Gjykimit është më e mirë se era e miskut. Ai që agjëron ka dy gëzime, kur prish agjërimin në fund të ditës dhe kur të takojë Zotin e vet e të kënaqet që ka agjëruar”.[1] Transmetohet nga Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu.

Sipas transmetimit të Buhariut dhe Ebu Daudit thuhet: “Agjërimi është mburojë. Nëse dikush agjëron, ai nuk duhet të flasë fjalë të këqija dhe nuk duhet të sillet keq me të tjerët. Nëse ndonjëri do të grindet me të apo e shan atë, le t’i thotë dy herë “Unë agjëroj”. Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit tek Allahu në Ditën e Gjykimit është më e mirë se era e miskut. Ai lë ushqimin, pijen dhe epshin për hatrin Tim. Agjërimi i tij është për Mua e Unë do e jap shpërblimin për të dhe për çdo vepër të mirë ai do të shpërblehet dhjetëfish”.[2]

Abdullah ibën Amr transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani janë dy ndërmjetësues të robit tek Allahu në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë e ndalova nga ushqimi dhe epshet e tij gjatë ditës. Më lejo të ndërmjetësoj për të. Kurani do të thotë: Unë e ndalova nga gjumi i natës. Më lejo të ndërmjetësoj për të. Kështu, ndërmjetësimi i tyre do të pranohet”.[3] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Ebu Umame transmeton se kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i kishte thënë ta urdhëronte për një punë që do ta çonte ne xhenet. Profeti (a.s.) i kishte thënë: “Mos iu nda agjërimit se nuk ka si ai”. Pastaj ky kishte shkuar përsëri dhe ai i kishte thënë sërish: “Mos iu nda agjërimit”.[4] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi i cili e konsideron të vërtetë

Ebu Seid El Hudri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu e largon zjarrin e xhehenemit 70 vjet nga fytyra e tij”.[5] Transmeton “Grupi”, përveç Ebu Daudit.

Sehl ibën Sead transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Në xhenet ka një derë që quhet Rejan. Në ditën e gjykimt ajo do të thotë: Ku janë agjëruesit? Pasi të ketë hyrë dhe agjëruesi i fundit ajo do të mbyllet”.[6] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Llojet e agjërimit

Ka dy lloje agjërimi; i detyrueshëm dhe vullnetar. Agjërimi i detyrueshëm ndahet më tej në tre lloje:

-Agjërimi i muajit të Ramazanit

-Agjërim për shlyerjen e shkeljeve të normave fetare apo për pamundësinë e kryerjes së tyre.

-Agjërimi që bëhet detyrim, për shkak të ndonjë betimi të bërë.

Këtu do të diskutojmë për agjërimin e Ramazanit dhe agjërimin vullnetar, ndërsa shtjellimi i llojeve të tjera do të vijë në vendin e vet.

 

 

Agjërimi i ramazanit

 

Gjykimi fetar për të

Agjërimi i muajit të Ramazanit është detyrim fetar sipas Kuranit, Sunetit dhe konsensusit të dijetarëve. Faktet për detyrimin e agjërimit të muajit të Ramazanit janë të shumta nga Kurani dhe Suneti, por ne do të mjaftohemi me disa prej tyre.

Argumentet nga Kurani konsistojnë në ajetet e mëposhtme:

 يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ)أَيَّامًا مَعْدُودَاتٍ فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ فَمَنْ تَطَوَّعَ خَيْرًا فَهُوَ خَيْرٌ لَهُ وَأَنْ تَصُومُوا خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنتُمْ تَعْلَمُونَ شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنْ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمْ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ

“O ju që besuat! Agjërimi u është bërë detyrim, sikurse ka qenë edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara. E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”  (El-Bekare, 183-185)

Nga hadithi kemi thëniet e mëposhtme të Profetit: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla që janë; të dëshmuarit se Zoti është një dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe haxhi në Mekë”.[7]

Talha ibën Ubejdullah tregon se një burrë shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Më trego cili agjërim është i detyrueshëm për mua?” Ai u përgjigj: Muaji i Ramazanit” Burri pyeti sërish: “Nuk ka ndonjë tjetër?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Jo, vetëm në rast se e bën vullnetarisht”.[8]

Agjërimi u bë i detyrueshëm në vitin e dytë të hixhretit, ditën e hënë kur kishin mbetur dy ditë të muajit Shaban. Të gjithë muslimanët bien dakord se agjërimi i Ramazanit është i detyrueshëm. Ai është një nga shtyllat e Islamit dhe nëse dikush e kundërshton këtë, ai nuk mund të quhet musliman.

 

Mirësia e muajit të Ramazanit dhe vlera e veprave që bëhen gjatë tij

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Po vjen një muaj i bekuar, në të cilin Allahu ju ka bërë detyrim agjërimin. Gjatë këtij muaji hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e ferrit dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga ajo, do të jetë privuar nga diçka e madhe”.[9] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Bejhakiu.

Arfexhe tregon se ishte njëherë me Utbe ibën Farkad, ndërsa ky i fundit po fliste rreth Ramazanit. Në atë kohë hyn një nga shokët e Profetit (a.s.). Kur Utbe e pa atë, u turpërua dhe ndaloi së foluri. Pastaj burri filloi të fliste rreth Ramazanit, duke thënë se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Gjatë Ramazanit mbyllen dyert e ferrit, hapen dyert e parajsës dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Një engjëll thërret: O ju që doni të bëni mirë, gëzohuni! O ju që doni të bëni keq, ndaloni deri në fund të Ramazanit!”[10] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pesë namazet e ditës, xhumaja deri në xhuma dhe ramazani deri në Ramazan janë falje për gjithçka ka ndodhur gjatë kësaj kohe, nëse mënjanohen gabimet e mëdha”.[11] Transmeton Muslimi.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit duke i njohur kufijtë e tij dhe duke u përmbajtur nga ato që duhet të përmbahet, atij do t’i falen gabimet që ka bërë më parë”.[12] Transmeton Ahmedi dhe Bejhakiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Po ashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim tek Allahu dhe duke kërkuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, do t’i falen të gjitha gabimet e mëparshme”.[13] Transmetohet nga Ahmedi dhe autorët e “Es-Sunen”.

 

Pasojat për atë që ndërpret agjërimin e Ramazanit

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Thelbi i vërtetë i Islamit dhe bazat e fesë mbi të cilat ngrihet Islami janë tre. Kush lë njërën prej tyre është jobesimtar dhe gjaku i tij ligjërisht mund të derdhet. Ato janë: Dëshmia se Zoti është një, falja e namazit dhe agjërimi i Ramazanit”.[14] Transmetohet nga Ebu Jala dhe Dejlemiu. Dhehebiu e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush e ndërpret agjërimin e një dite gjatë muajit të Ramazanit, pa pasur ndonjë arsye për të cilën Allahu do ta falë, nuk do të mund ta zëvendësojë atë ditë, edhe nëse agjëron gjithë jetën e tij”.[15] Transmeton Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu.

Buhariu kujton nga Ebu Hurejra në formën “marfu’a”: “Kush e ndërpret agjërimin e muajit të Ramazanit pa pasur një arsye të pranueshme ligjërisht apo pa qenë i sëmurë, ai nuk mund ta zëvendësojë atë ditë, edhe nëse agjëron tërë jetën e tij”.[16] Këtë e ka thënë edhe Ibën Mesudi.[17]

Dhehebiu thotë se sipas besimtarëve të qëndrueshëm, ai që e lë agjërimin e Ramazanit, pa qenë i sëmurë, konsiderohet më i keq se ai që bën imoralitet apo ai që pi alkool. Në fakt, ata hedhin dyshime mbi Islamin e tij dhe mendojnë se ai mund të jetë nga ata që nuk janë muslimanë dhe nga ata që e shkatërrojnë realisht Islamin.

 

Ardhja e muajit të Ramazanit

Kjo ngjarje vërtetohet nga shikimi i hënës, edhe në rast se shihet vetëm nga një person i drejtë apo pas mbarimit të tridhjetë ditëve të muajit paraardhës Shaban. Ibën Umeri tregon se, ndërsa njerëzit po përpiqeshin njëherë të shihnin hënën e re, ai i tha Profetit (a.s.) se e kishte parë atë. Kështu, Profeti (a.s.) agjëroi dhe i urdhëroi të tjerët të agjëronin.[18] Transmetohet nga Ebu Daudi, Hakimi dhe Ibën Hibani. Këto dy të fundit e vlerësojnë hadithin si të vërtetë.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjëroni pasi ta shihni atë (hënën e re) dhe ndërpriteni agjërimin (në fund të muajit) kur ta shihni atë. Nëse është e fshehur, atëherë plotësoni tridhjetë ditët e muajit Shaban”.[19] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Duke komentuar transmetimet e mësipërme, Tirmidhiu thotë se shumica e dijetarëve veprojnë sipas këtyre transmetimeve. Ata thonë se pranohet të presësh edhe dëshminë e një personi të vetëm për të përcaktuar fillimin e agjërimit. Ky është dhe mendimi i Ibën Mubarekut, Shafiut dhe Ahmedit. Neveviu thotë se ai është mendimi më i saktë.

Përsa i përket hënës së re te Shevalit (që simbolizon fundin e agjërimit), vërtetohet me plotësimin e tridhjetë ditëve të Ramazanit. Në këtë rast nuk pranohet dëshmia e një personi (se ka parë hënën). Shumica e juristëve mbrojnë idenë se ardhja e hënës së re duhet të ketë dy dëshmitarë të drejtë, të cilët e kanë parë atë kur ka dalë. Megjithatë, Ebu Theuri nuk e bën dallimin midis hënës së Shevalit dhe hënës së re të Ramazanit. Në të dy rastet ai pranon dëshminë e një personi të vetëm që është i drejtë.

Ibën Rushdi duke komentuar mbi këtë temë thotë: “Mendimi i Ebu Bekër El Mundhiriut është i njëjtë me atë të Ebu Theurit. Unë mendoj se të njëjtin mendim ndan edhe shkolla dhahirite”.

Ebu Bekër El Mundhiriu mbështetet nga argumenti i ekzistencës së një marrëveshjeje të plotë të dijetarëve përsa i përket çështjes se prishja e agjërimit është e detyrueshme dhe se braktisja e ushqimit bazohet mbi raportimin e një personi. Situata duhet të jetë e ngjashme si për fillimin, ashtu dhe për mbarimin e muajit, pasi të dyja janë thjesht shenja që ndajnë kohën që agjërohet dhe atë që nuk agjërohet.

Sheukani vëren se, nëse nuk ka asgjë autentike të ruajtur që të thotë se duhet të pranohet dëshmia e dy dëshmitarëve për përfundimin e muajit, atëherë është e dukshme që një dëshmitar është i mjaftueshëm, ashtu siç është i mjaftueshëm për fillimin e muajit.

Për më tepër, të bazuarit e adhurimit në pranimin e një raporti të vetëm, tregon që raporte të tilla pranohen në çdo çështje duke marrë parasysh ekzistencën e provave që specifikojnë tiparin dallues të rasteve të veçanta. Ky është mendimi i Ebu Theurit në pamje të parë.

 

Dallimet e dukjes së hënës së re në vende të ndryshme

Sipas shumicës së dijetarëve nuk ka rëndësi, nëse hëna e re është parë në një vend të caktuar apo në një vend tjetër. Me fjalë të tjera, kur të shihet hëna në cilindo vend të botës, bëhet detyrim për të gjithë muslimanët fillimi i agjërimit, siç ka thënë Profeti (a.s.): “Agjëroni kur ta shihni atë dhe ndërpriteni agjërimin kur ta shihni atë”.[20]

Ky hadith është një mesazh i përgjithshëm drejtuar të gjithë botës islame dhe do të thotë se, nëse dikush prej jush e shikon hënën në ndonjë vend, atëherë kjo do të ishte e vlefshme për të gjithë.

Sipas Ikrimës, Kasim ibën Muhamedit, Salimit, Is’hakut, mendimit të saktë të hanefive dhe mendimit të zgjedhur të shafive, çdo vend duhet të marrë parasysh shikimin e hënës nga ana e tij dhe jo domosdoshmërisht të ndjekë atë të të tjerëve. Kjo bazohet mbi atë që ka thënë Kurejbi: “Kur isha në Sham, hëna e re e Ramazanit u shfaq të premten në mbrëmje. Unë u ktheva në Medine në fund të muajit. Atje më pyeti Ibën Abasi: “Kur e patë hënën e re?” Unë i thashë: “Ne e pamë të premten në mbrëmje”. Ai më pyeti: “A e pe vetë atë?” Unë i thashë: “Po. Edhe njerëzit atje e panë dhe ata agjëruan bashkë me Muavijen”. Ai tha: “Por ne e pamë të shtunën në mbrëmje, kështu që ne do të vazhdojmë të agjërojmë, derisa të plotësojmë tridhjetë ditë ose derisa të shohim hënën e re”. Unë i thashë: “A nuk është i mjaftueshëm shikimi dhe agjërimi i Muavjies për ju?” Ai tha: “Jo! Ky është urdhëri i Profetit”.[21] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu.

Rreth këtij hadithi Tirmidhiu thotë se është hasen-sahih-garib. Dijetarët veprojnë në përputhje me këtë hadith, sipas të cilit çdo vend ka shikimin e tij të hënës. Ne librin “Fet’h El Alam Sherh Bulug El Meram” thuhet: “Mendimi më afër të vërtetës është që çdo vend dhe rrethinat e tij të ndjekë shikimin e hënës së tij”.[22]

 

Shikimi i hënës nga një person i vetëm

Dijetarët e jurisprudencës islame bien dakord se, nëse hëna e re e Ramazanit shihet edhe nga një person i vetëm, ai duhet të agjërojë. Atau ka një mendim tjetër për këtë dhe thotë se ai nuk duhet të agjërojë, derisa dhe dikush tjetër ta shohë atë së bashku me të. Dijetarët kanë mendime të ndryshme përsa i përket hënës së re të Shevalit. Mendimi më i saktë është ai i Shafiut dhe Ebu Thaurit, të cilët thonë se personi e prish agjërimin, pasi ka parë hënën e re. Profeti (a.s.) e ka bazuar fillimin e agjërimit dhe prishjen e tij në shikimin e hënës. Nëse dikush e shikon hënën, është e mjaftueshme për të dhe nuk ka nevojë që ta shohë dhe dikush tjetër.

 

Elementet themelore të agjërimit

Agjërimi ka dy shtylla ose elemente bazë që duhet të plotësohen që ai të konsiderohet i vlefshëm dhe i pranueshëm. Ato janë:

1- Ndalimi nga ato gjëra që e prishin agjërimin nga agimi deri në perëndim të diellit

Kjo pikë bazohet në ajetin kuranor:

فَالآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ اللَّهُ لَكُمْ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمْ الْخَيْطُ الأَبْيَضُ مِنْ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ مِنْ الْفَجْرِ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْل

“Tani e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa të dalloni perin e bardhë nga ai i zi në agim. Pastaj agjëroni deri kur të bjerë nata”. (El-Bekare, 187)

Me pe të bardhë dhe pe të zi nënkuptohet bardhësia e ditës dhe errësira e natës.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Adij ibën Hatim ka thënë: “Kur zbriti ajeti “…derisa të dalloni perin e bardhë nga ai i zi…” unë mora një pe të bardhë dhe një të zi dhe i vendosa poshtë jastëkut tim. Gjatë natës i vështrova nëse mund t’i dalloja, mirëpo nuk po i dalloja dot. Në mëngjes shkova tek Profeti (a.s.) dhe i tregova për këtë dhe ai më tha: “Bëhet fjalë për errësirën e natës dhe bardhësinë e ditës”.[23]

 

2- Qëllimi:

Allahu udhëzon në Kuran:

وَمَا أُمِرُوا إِلاَّ لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلاَةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

“Ata nuk ishin të urdhëruar me gjë tjetër, veçse të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë…” (El-Bejine, 5)

Profeti (a.s.) ka thënë: Veprat janë sipas qëllimit dhe secilit i takon ajo çka pasur për qëllim”.

Qëllimi duhet të vendoset përpara agimit (fexhrit) dhe gjatë çdo nate të Ramazanit. Kjo bazohet në hadithin e Hafsës, e cila transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që nuk e bën nijetin e agjërimit përpara agimit, atij nuk do t’i pranohet agjërimi”.[24] Transmeton Ahmedi dhe autorët “Es-Sunen”. Ibën Huzejme dhe Ibën Hibani e konsiderojnë hadithin në fjalë të vërtetë.

Nijeti është i vlefshëm që të bëhet gjatë çdo pjese të natës. Nuk është e nevojshme të thuhet me gojë pasi është një gjë që bëhet me zemër dhe nuk është e nevojshme të përfshihet dhe gjuha. Ai përmbushet me qëllimin e dikujt për të agjëruar për t’iu bindur Allahut dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij.

Nëse dikush ha syfyr me qëllim për të agjëruar dhe për t’u afruar me Allahun me anë të kësaj vepre, atëherë mund të themi se nijeti i tij është bërë. Nëse dikush vendos se do të agjërojë ditën tjetër për kënaqësi të Zotit, atëherë ky qëllim është i vlefshëm, edhe nëse personi nuk ngrihet për të ngrënë syfyr.

Sipas mendimit të shumë juristëve, nijeti (qëllimi) për agjërimin vullnetar mund të bëhet në çdo kohë, përpara se të hahet ushqim. Ky mendim bazohet në hadithin e Profetit (a.s.), të transmetuar nga Aishja, se ai i kishte thënë asaj një ditë: “A ka ndonjë gjë për të ngrënë?” Ajo i ka thënë: “Jo!” Pastaj ai ka thënë: “Atëherë po agjëroj”.[25] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Hanefitë dhe shafitë vendosin si kusht nijetin përpara mesditës për agjërimin vullnetar. Mendimi i Ibën Mesudit dhe Ahmedit është se qëllimi për agjërimin vullnetar mund të bëhet para ose pas mesditës.

 

Kush e ka detyrë agjërimin?

Të gjithë dijetarët bien dakord se agjërimi është i detyrueshëm për çdo musliman të moshës madhore që është i shëndetshëm nga ana mendore dhe trupore, i cili nuk është udhëtar në këtë kohë. Ndërsa për gratë nuk lejohet të agjërojnë, nëse janë me menstruacione ose janë lehona. Njerëzit që nuk janë mendërisht të shëndetshëm, ata që nuk kanë hyrë në moshën madhore, ata që janë në udhëtim, ato gra që kanë menstruacione ose janë lehona, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë në gji nuk janë të detyruar të agjërojnë.

Për disa agjërimi nuk është aspak i detyrueshëm si për shembull jobesimtari dhe i sëmuri mendor. Në rastin e të rinjve prindërit ose ata që kujdesen për ta duhet t’i urdhërojnë ata të agjërojnë. Disa prej këtyre kategorive e plotësojnë agjërimin e ndërprerë në ditët e mëvonshme, ndërsa të tjerët për agjërimin e lënë mangut paguajnë një sasi parash dhe kështu nuk janë të detyruar t’i agjërojnë ditët e mbetura. Ne do të diskutojmë për secilin grup në detaje.

 

Agjërimi i jobesimtarit dhe i të sëmurit mendor

Agjërimi është adhurim i Islamit, prandaj nuk është detyrim për jomuslimanin. Agjërimi nuk është i detyruar për të sëmurin mendor, për faktin se ai nuk është i vetëdijshëm për atë që bën. Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Penat janë tharë për tre grupe njerëzish (pasi ata nuk janë të përgjegjshëm për çfarë bëjnë): i sëmuri mendor derisa të shërohet; ata që janë në gjumë derisa të zgjohen; dhe fëmijët derisa të arrijnë pubertetin”.[26] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

 

Agjërimi i fëmijëve

Megjithëse të rinjve të kësaj moshe nuk u kërkohet të agjërojnë, prindërit e tyre e kanë për detyrë t’i nxisin fëmijët të agjërojnë për t’u mësuar për të ardhmen. Ata mund të agjërojnë aq sa munden dhe për aq sa janë të aftë.

Rubejia bint Muavidh tregon se Profeti (a.s.) dërgoi një burrë në mëngjesin e ditës së Ashures tek fshatrat e ensarëve për t’u thënë: “Kush e ka kaluar mëngjesin agjërueshëm, le ta plotësojë agjërimin e tij dhe kush nuk ka agjëruar këtë mëngjes, le të agjërojë pjesën e mbetur të ditës”. Ne pastaj e agjëronim këtë ditë dhe i urdhëronim fëmijët e vegjël që të agjërojnë.

Ne shkonim në xhami, – vazhdon Rubeija, – dhe bënim lodra të mbushura me lesh për fëmijët, që të luanin me to. Nëse ndonjëri nga ata qante nga uria ne i jepnim një lodër që të luante, derisa të vinte koha për të ngrënë (iftari).[27] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Ata që janë të lejuar të mos agjërojnë dhe në vend të tij paguajnë një sasi të hollash si arsye që nuk kanë agjëruar

Pleqve dhe plakave që janë në moshë të thyer u lejohet ta ndërpresin agjërimin, ashtu siç u lejohet te sëmurëve kronikë dhe atyre që bëjnë punë shumë të rënda në rrethana tepër të vështira dhe që nuk kanë mënyrë tjetër për t’u ushqyer.

Të gjithë këta persona janë të lejuar ta prishin agjërimin, nëse ai do ta vështirësonte gjendjen e tyre gjatë cilësdo stinë të vitit. Ata janë të detyruar që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër. Për sasinë e ushqimit që duhet dhënë në këtë rast dijetarët kanë mendime të ndryshme. Nuk ka asgjë të përmendur në Sunet për sasinë e saktë që duhet të jepet.

Ibën Abasi thotë se i lejohet një të moshuari të ndërpresë agjërimin e tij, por për këtë ai duhet të ushqejë një të varfër çdo ditë. Nëse vepron kështu, nuk e ka për detyrë t’i agjërojë ditët që ka lënë mangut.[28] Transmeton Darakutni dhe Hakimi, i cili e vlerëson si të vërtetë.

Buhariu transmeton nga Atau se ky i fundit ka dëgjuar Ibën Abasin të lexojë ajetin:

وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِين

“Dhe ata që nuk mund të agjërojnë e kanë për detyrë të ushqejnë një të varfër”. (El-Bekare, 184)

Pastaj Ibën Abasi vijoi duke thënë se nuk është shfuqizuar ligji për ata të moshuar që nuk mund të agjërojnë. Ata, në vend të agjërimit, duhet të ushqejnë[29] një të varfër duke i siguruar atij ushqim ditor.[30]

E njëjta gjë vlen për një të sëmurë, për të cilin nuk shpresohet se do të shërohet, që nuk mund të agjërojë dhe për atë person që bën punë të rënda në kushte të vështira, për të cilin agjërimi do të ishte një barrë shtesë. Të dy këta grupe mund t’i kompensojnë këto ditë duke siguruar për çdo ditë të lënë ushqim ditor për një të varfër.

Duke komentuar ajetet e sures Bekare, Shejh Muhamed Abduh thotë: “Ata që nënkuptohen në këtë ajet, kur përmenden ata që nuk mund të agjërojnë, janë të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe kështu me radhë. Në mënyrë të ngjashme janë dhe ata që kanë punë të vështira në kushte të rënda si për shembull në minierat e qymyrit etj.

Po kështu veprohet edhe me të burgosurit që janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe punojnë në punë tepër të vështira.

Gratë shtatëzëna dhe ato që kanë fëmijë në gji, mund ta ndërpresin agjërimin dhe të paguajnë sasinë e parave që nevojitet për të ushqyer një të varfër, nëse kanë frikë për veten e tyre apo për fëmijën.[31] Ato nuk i zëvendësojnë ditët e lëna mangut. Kështu mendon Ibën Umeri dhe Ibën Abasi.

Ebu Daudi transmeton nga Ikrime se Ibën Abasi ka thënë rreth këtij ajeti: “Dhe për ata që mund të agjërojnë (por që nuk e bëjnë)”: Ky ka qenë një lehtësim për të moshuarit, meqë ata mund të agjërojnë. Ata mund ta prishin agjërimin dhe të ushqejnë një të varfër. Po në të njëjtën mënyrë, mund të veprojë edhe gruaja shtatzënë dhe ajo që ka fëmijë në gji. Nëse ato kanë frikë për fëmijën e tyre, mund të mos agjërojnë dhe të paguajnë ushqim për një të varfër.[32] Transmeton Bezari.

Në fund të transmetimit është një shtesë e tillë: Ibën Abasi u thoshte grave të tij që ishin shtatëzëna se ato ishin njëlloj me ata persona që nuk mund të agjëronin. Ai u thoshte të paguanin sasinë e parave për të ushqyer një të varfër dhe nuk duhet t’i zëvendësonin ato ditë më vonë.[33] Transmeton Darakutni dhe thotë se zinxhiri i transmetimit është i vërtetë.

Nafiu transmeton se e pyetën njëherë Ibën Umerin për një grua shtatëzënë që kishte frikë për foshnjen e saj. Ai u përgjigj: “Ajo ta prishë agjërimin dhe të japë çdo ditë një “mud”[34] grurë për një të varfër”.[35] Transmeton Maliku dhe Bejhakiu.

Gjithashtu, një hadith thotë: “Allahu nuk e ka bërë agjërimin detyrim për udhëtarët dhe ua ka shkurtuar namazin. Po ashtu grave shtatëzëna dhe atyre që kanë fëmijë në gji u ka hequr agjërimin”.[36]  Ky hadith është transmetuar nga Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesai dhe Ibën Maxhe. Zinxhiri i tij është hasen.

Sipas hanefive, Ebu Ubejdit dhe Ebu Theurit këto gra duhet të plotësojnë vetëm ditët e lëna mangut dhe nuk paguajnë ushqimin për një të varfër çdo ditë.

Sipas Ahmedit dhe Shafiut, nëse këto gra kanë frikë për fëmijët e tyre, ato duhet të paguajnë ushqimin e një të varfëri çdo ditë dhe t’i zëvendësojnë këto ditë më vonë. Nëse ato kanë frikë për veten e tyre bashkë me fënijët ose vetëm për veten e tyre, ato duhet t’i plotësojnë më vonë ditët e lëna mangut dhe nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër.

 

Plotësimi i ditëve të agjërimit të lëna mangut

Lejohet për ata që janë të sëmurë kronikë dhe ata që janë udhëtarë ta ndërpresin agjërimin gjatë Ramazanit, me kushtin që ato ditë t’i plotësojnë më vonë.

Allahu (xh.sh.) thotë: Ata që janë të sëmurë ose në udhëtim le t’i plotësojnë aq ditë nga ditët e mëvonshme”.

Muadhi thotë: “Me të vërtetë Allahu e bëri të detyruar agjërimin për Profetin duke thënë: “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte dhe për ata përpara jush … ”, deri te fjalët: “Dhe për kë mund të agjërojë (por nuk e bën) ka një sasi që duhet paguar”. Muadhi tregon se pas zbritjes së këtij ajeti, kush donte agjëronte dhe kush dëshironte të ushqente ndonjë të varfër, e bënte këtë dhe ishte e mjaftueshme për të. Pastaj, Allahu shpalli ajetin: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani” dhe më tej “…kush e gjen këtë muaj, le të agjërojë!”. Me këtë ajet agjërimi u vendos për ata që ishin të shëndetshëm dhe jo udhëtarë. Një lejim u bë për të sëmurët, udhëtarët dhe u konfirmua ushqimi i një të varfëri nga i moshuari që nuk mund të agjëronte.[37] Transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu me sened të vërtetë.

I sëmuri mund ta ndërpresë agjërimin, nëse ai ndikon në përkeqësimin e sëmundjes ose vonon shërimin e saj[38]. Në librin “El Mugni” thuhet: “Transmetohet nga disa dijetarë të hershëm se çdo lloj sëmundjeje e bën të lejuar për personin ndërprerjen e agjërimit, madje dhe një plagosje në gisht apo dhe një dhimbje dhembi. Ata e bazojnë mendimin e tyre mbi dy argumente:

– Fjalët e përdorura në ajet janë të përgjithshme dhe i referohen të gjitha sëmundjeve.

– Udhëtarit i lejohet të mos agjërojë, edhe në rast se ai nuk e ka të nevojshme.

I njëjtë me këtë është dhe rasti i të sëmurit”.

Gjithashtu, ky është dhe mendimi i Buhariut, Ataut dhe shkollës dhahirite.

Ai që ka frikë se mos sëmuret nga agjërimi, mund ta ndërpresë atë siç bën ai që është përfshirë nga uria ose etja dhe ka frikë se mos vdesë për këtë shkak, edhe nëse është i shëndetshëm dhe nuk është udhëtar. Ai duhet t’i plotësojë ato ditë më vonë.

Këtë ide e mbeshtesin edhe dy ajetet e mëposhtme kuranore:

وَلاَ تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

“Mos e vrisni veten, se Allahu është i mëshirshëm me ju” (En-Nisa, 29) dhe                                                                        وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ

“Ai nuk ka vënë mbi ju vështirësi në fenë tuaj”. (El-Haxh, 78)

Nëse një person agjëron, megjithëse është i sëmurë, agjërimi i tij është i papëlqyeshëm, pasi ai nuk praktikon lehtësimin e dhënë nga Allahu dhe në këtë mënyrë vështirëson veten e tij. Në kohën e Profetit (a.s.) disa nga shokët agjëronin e disa jo (kjo nëse ishin të sëmurë apo në udhëtim) sipas porosive të Profetit.

Hamza El Eslemi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam forcë të agjëroj edhe kur jam udhëtar. A bëj gabim po të veproj kështu?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ky është një lehtësim nga ana e Allahut. Kush e shfrytëzon, vepron drejt dhe kush do të agjërojë, nuk ka ndonjë vërejtje për të”.[39] Transmeton Muslimi.

Ebu Seid El Hudri tregon: “Njëherë (gjatë një beteje) po udhëtonim me Profetin (a.s.) për në Mekë dhe ishim agjërueshëm. Ndaluam në një vend dhe Profeti (a.s.) tha: “Po i afroheni armikut. Do të jeni më të fortë po ta prishni agjërimin”. Ai ishte një lehtësim dhe kështu disa nga ne e prishën agjërimin dhe disa të tjerë vazhduan të agjëronin. Pastaj ne mbërritëm në një vend tjetër dhe Profeti (a.s.) tha: Në mëngjes ju do të përballeni me armikun tuaj. Prishja e agjërimit do t’ju jepte më shumë forcë”. Kështu, ne e prishëm agjërimin duke qenë se ajo ishte gjëja më e mirë për t’u bërë. E megjithatë, disa nga ne agjëronin me Profetin (a.s.) gjatë udhëtimit”.[40] Transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër, Ebu Seid El Hudri ka thënë: “Ne luftuam nën udhëheqjen e Pejgamberit (a.s.) gjatë Ramazanit. Disa nga ne agjëruan dhe disa jo. Ata që nuk agjëronin nuk e shihnin si të gabuar veprimin e atyre që agjëronin dhe anasjelltas. Ata e dinin se, nëse dikush kishte mundësi të agjëronte kjo ishe e mirë dhe, nëse dikush ishte i dobët dhe nuk agjëronte, edhe kjo ishte e mirë”.[41] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Juristët kanë mendime të ndryshme për atë që është më e vlefshme të bësh për të agjëruar ose jo gjatë udhëtimit. Ebu Hanife, Shafiu dhe Maliku janë të mendimit se, nëse dikush ka mundësi të agjërojë, është më mirë për të që të agjërojë. Ahmedi thotë që është më mirë ta prishësh agjërimin.

Umer ibën Abdul Aziz thotë: “Veprimi më i mirë prej atyre të dyve është ai që është më i lehti. Nëse për dikë është më e lehtë të agjërojë sesa të plotësojë ditët më vonë, atëherë është më mirë për të që të agjërojë”. Sheukani ka dalë në konkluzionin se, nëse është e vështirë për një individ të agjërojë dhe nuk dëshiron ta praktikojë lehtësimin gjatë udhëtimit, atëherë më e mirë për të është të mos agjërojë. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush mendon se agjërimi i tij gjatë udhëtimit do të dukej si mburrje apo sa për sy e faqe, atëherë më mirë për të është të mos agjërojë. Nëse dikush nuk përballet me këto rrethana, atëherë është e preferuar për të që të agjërojë.

Nëse udhëtari e bën nijetin në darkë për të agjëruar dhe e ka filluar atë, ai mund ta prishë agjërimin e tij gjatë ditës. Xhabir ibën Abdullahu tregon: “I Dërguari i Allahut po udhëtonte me sahabët për në Mekë në vitin e çlirimit të saj. Profeti (a.s.) ishte agjërueshëm e bashkë me të edhe sahabët. Kur arritën në luginën e Gumejmit[42], dikush i tha Profetit se njerëzit ishin shumë të lodhur nga agjërimi, megjithëse ata preferonin të ndiqnin shembullin e tij. Pastaj ai kërkoi një enë me ujë, e ngriti lart dhe e piu që ta shihnin njerëzit. Më vonë i treguan se disa njerëz ende vazhdonin të agjëronin. Ai tha: Ata janë mëkatarë”.[43] Transmeton Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Tirmidhiu e quan këtë hadith të vërtetë.

Nëse dikush ka vendosur që të agjërojë duke mos qenë udhëtar, por gjatë ditës vendos të udhëtojë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai duhet të agjërojë.

Ahmedi dhe Is’haku thonë se ai mund ta prishë agjërimin. Ky mendim bazohet mbi transmetimin e Muhamed ibën Keab, i cili tregon: “Shkova te Enes ibën Maliku gjatë Ramazanit dhe ai mendonte të udhëtonte. Kafsha e tij ishte gati dhe ai kishte veshur rrobat e udhëtimit. Ai kërkoi ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: “A ështe kjo prej Sunetit?” Ai tha: “Po”. Pastaj i hipi kafshës së tij dhe u largua”.[44] Transmeton Tirmidhiu, i cili e cilëson atë të besueshëm.

Ubejd ibën Xhubejr tregon: “Gjatë Ramazanit udhëtova në një anije nga Fustati[45] me Ebu Basra El Gafarin. Ai përgatiti ushqimin, ma serviri dhe më tha: “Urdhëro!” Unë i thashë: “Ende nuk jemi përtej shtëpive të qytetit (që do të thotë se nuk jemi nisur ende). Atëherë Ebu Basra m’u drejtua dhe më tha: “A po kërkon të largohesh nga Suneti i Profetit?”[46] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Ata që e transmetojnë këtë janë njerëz të besueshëm.

Sheukani shton: “Këto dy hadithe tregojnë se udhëtari mund ta prishë agjërimin përpara se të fillojë udhëtimin”. Më tej Sheukani citon Ibën El Arabiun të ketë thënë: “Përsa i përket hadithit të Enesit, ai është i vërtetë dhe tregon se dikush mund ta prishë agjërimin kur përgatitet të udhëtojë. Ky është një qëndrim i drejtë”.

Lloji i udhëtimit kur lejohet ndërprerja e agjërimit është i njëjtë me atë të shkurtimit të namazit. Po ashtu edhe koha e qëndrimit në të cilën i lejohet mysafirit të mos agjërojë është e njëjtë me dispozitat e namazit të udhëtarit. Ne i kemi diskutuar të gjitha mendimet për këtë pikë në pjesën “Shkurtimi i namazit” dhe kemi mbledhur perfundimet e Ibën El Kajimit për këtë çështje.

Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Tahavi kanë regjistruar nga Mensur El Kelbi se Dihja ibën Halife udhëtoi njëherë nga një fshat i Damaskut në në një distancë 1 farsah gjatë Ramazanit. Kur e prishi agjërimin, disa njerëz bënë të njëjtën gjë. Disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë veprim. Kur u kthye në fshatin e tij, Dihjau tha: “Unë pashë diçka sot që nuk kisha dyshuar se do ta shihja. Njerëzit u larguan nga udhëzimet e Profetit dhe të shokëve të tij”. Ai e tha këtë për ata njerëz që vazhduan të agjëronin. Pastaj tha: “O Allah! Më merr tek Ti!”.[47] Të gjithë ata që e tregojnë janë njerëz të besueshëm, përveç Mensur El Kelbit, megjithëse El Ixhli pohon për besueshmërinë e tij.

 

Ata të cilët nuk lejohet të agjërojnë dhe duhet të plotësojnë ditët e lëna mangut

Dijetarët bien dakord se gruaja gajtë periodave mujore dhe gruaja lehonë duhet ta prishin agjërimin dhe t’i zëvendësojnë ato ditë më vonë. Nëse agjërojnë, agjërimi i tyre është i pavlefshëm dhe nuk është i pranuar.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aishja (r.a.) ka thënë: “Kur ne kishim ciklin (me perioda) gjatë kohës që Profeti ishte gjallë, ishim të urdhëruara t’i plotësonim më vonë ditët e lëna të agjërimit, por nuk ishim të urdhëruara të plotësonim namazet e humbura”.[48]

 

 

Ditët në të cilat ndalohet agjërimi

 

Ka hadithe që tregojnë qartë se agjërimi është i ndaluar në ditë të caktuara. Këto ditë janë:

 

1- Ditët e festave të Bajramit:

Të gjithë dijetarët bien dakord se agjërimi gjatë ditëve të festave të Bajramit është i ndaluar. Nuk ka rëndësi nëse agjërimi në këto ditë është i detyrueshëm apo vullnetar. Umeri dëshmon se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin në këto ditë. Ai ka thënë: “Profeti (a.s.) e ka ndaluar agjërimin në ditët e festave të Bajrameve. Përsa i përket ditës së Fitër-Bajramit, veproni si në kohën e iftarit gjatë Ramazanit, ndërsa në Bajramin e Kurbanit ju duhet të hani nga kurbani juaj”.[49] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

 

2- Ditët e teshrikut (Tre ditë pas Kurban-Bajramit):

Nuk lejohet të agjërohet tre ditë pas ditës së Kurban-Bajramit. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut e ka dërguar Abdullah ibën Hudhafen të lajmëronte në Mina: “Nuk duhet të agjëroni në këto tre ditë. Ato janë ditë në të cilat hahet, pihet dhe kujtohet Allahu”.[50] Transmetohet nga Ahmedi me një zinxhir transmetimi të besueshëm.

Ibën Abasi transmeton se Pejgamberi (a.s.) dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë, pasi në to hahet, pihet dhe dëfrehet me bashkëshorten”.[51] Tabaraniu e tregon këtë hadith në librin e tij “El Eusat”.

Shafitë e lejojnë agjërimin në ditët e teshrikut, nëse ka ndonjë arsye për këtë, si për shembull agjërimi për shkak të një premtimi, për shlyerje apo për të plotësuar ditët e Ramazanit. Për agjërimin që nuk ka arsye të veçantë, nuk ka kundërshtim dhe rrjedhimisht nuk lejohet të bëhet në këto ditë. Shafitë përdorin të njëjtin arsyetim me namazet e veçanta që lejohen të falen dhe në kohët kur nuk lejohet namazi (për shembull namazi i përshendetjes së xhamisë etj).

 

3- Ndalohet ta veçosh të premten si ditë agjërimi:

Dita e premte është si një bajram i përjavshëm për muslimanët dhe për këtë është e ndaluar të agjërohet në këtë ditë. Shumica e dijetarëve thonë se kjo gjë është më shumë e papëlqyeshme[52] sesa një ndalim i mirëfilltë.

Nuk është e papëlqyeshme të agjërosh të premten, nëse agjëron një ditë para ose një ditë pas saj (bashkë me xhumanë) nëse kjo i bie të jetë në ditën e Arafatit, të Ashures apo nëse është në një nga ditët që dikush i agjëron vazhdimisht, si në rastin kur dikush zotohet se do të agjërojë ditën e shërimit të tij etj.

Abdullah ibën Amër tregon se, njëherë i Dërguari i Allahut ka hyrë në dhomën e Xheurije bint El Harithit, ndërkohë që ishte e premte dhe ajo po agjëronte. Ai e pyeti: “A ke agjëruar dje?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Ai tha: “A ke ndërmend të agjërosh nesër?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Pastaj ai tha: “Atëherë prishe agjërimin”.[53] Transmetohet nga Ahmedi dhe Nasaiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Amir El Eshari tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (a.s.) të thotë: “Në të vërtetë dita e premte është ditë feste për ju, prandaj mos agjëroni në të, përveç nëse agjëroni një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[54] Transmeton Bezari me zinxhir të besueshëm transmetimi.

Aliu (r.a.) këshillon dhe thotë: “Ai që dëshiron të agjërojë vullnetarisht duhet të agjërojë të enjten e të mos agjërojë të premten, pasi e premtja është një ditë përkujtimi, në të cilën hahet dhe pihet”. Transmeton Ibën Ebi Shejbe me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Në të dy “Sahihet” e Buhariut dhe Muslimit, Xhabiri tregon se Profeti ka thënë: “Mos agjëroni të premten, përveçse kur të agjëroni bashkë një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[55]

Në versionin e Muslimit thuhet: “Mos e zgjidhni në veçanti natën e së premtes për të kryer namaz nate dhe gjithashtu mos e zgjidhni në veçanti ditën e premte si ditë agjërimi, përveç rastit kur ajo qëllon të jetë në një nga ditët që ju agjëroni rregullisht”.[56]

 

4- Ndalohet ta veçosh të shtunën si ditë agjërimi:

Busr Es-Selmi transmeton nga motra e tij Sama, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos agjëroni të shtunave, përveç nëse bëhet fjalë për një agjërim të detyrueshëm. Nëse nuk gjeni diçka për të ngrënë, merrni disa lëvore rrushi ose dege peme dhe përtypini”.[57] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Hakimi thotë se hadithi është i vërtetë (sahih) sipas kushteve të Muslimit, ndërsa Tirmidhiu e quan të besueshëm (hasen). Tirmidhiu ka thënë se ajo çka është e papëlqyeshme është caktimi i veçantë i të shtunës nga dikush si ditë agjërimi, kjo pasi është dita që e nderojnë çifutët.

Në kundërshtim me transmetimin e mësipërm, Umu Seleme thotë se Profeti (a.s.) agjëronte më shumë të shtunave dhe të djelave se në ditët e tjera. Ai thoshte: “Ato janë festat e politeistëve dhe unë pëlqej të dallohem nga ata”.[58] Transmetohet nga Ahmedi, Bejhakiu, Hakimi dhe Ibën Huzejme. Dy të fundit e konsiderojnë hadithin në fjalë të vërtetë.

Hanefitë, shafitë dhe hanbelitë e konsiderojnë të papëlqyeshëm agjërimin e veçuar të të shtunave, për shkak të fakteve të mësipërme.

Maliku ka pikëpamje të kundërt nga ata dhe e lejon agjërimin e veçantë të kësaj dite, megjithëse hadithi është fakt kundër tij.

 

5- Ndalohet të agjërosh në “ditën e dyshimit”:

Amar ibën Jasiri ka thënë: “Kush agjëron në ditën e dyshimit[59] ka kundërshtuar Ebu El Kasim (Profetin)”.[60] Transmetohet nga Nesai, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Për statutin e këtij hadithi, Tirmidhiu thotë se është një hadith hasen-sahih dhe se shumica e dijetarëve veprojnë në përputhje me të. Ky është mendimi i Sufjan El Theurit, Malik ibën Enesit, Abdullah ibën El Mubarekut, Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Të gjithë ata e urrejnë agjërimin në “ditën e dyshimit”. Shumica e tyre besojnë se, nëse dikush agjëron në një ditë të tillë dhe më pas zbulohet se ka qenë Ramazan, ai duhet ta zëvendësojë atë ditë. Nëse kjo ditë qëllon të jetë në një nga ditët e zakonshme që dikush i agjëron rregullisht, atëherë është e mundur të agjërohet në një ditë të tillë.

Transmetohet nga “Grupi” se Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç rastit kur është një ditë që ju agjëroni rregullisht”.[61]

Rreth këtij hadithi Tirmidhiu thotë se ai është hasen-sahih dhe dijetarët veprojnë në përputhje me të. Ata nuk e pëlqejnë faktin që dikush ta shpejtojë Ramazanin duke agjëruar ditën para tij.

Nëse dikush agjëron një ditë që qëllon të jetë në “ditën e dyshimit” sipas mendimt të tyre nuk ka ndonjë problem me agjërimin e tij në atë ditë.

 

6- Ndalohet të agjëruarit e tërë vitit:

Kjo ndalohet, pasi në ditë të caktuara të vitit nuk lejohet agjërimi.

Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka agjërim për atë që agjëron përherë”.[62] Transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Nëse dikush që agjëron gjithmonë e prish agjërimin në ditët e Bajramit dhe të teshrikëve, atëherë agjërimi i tij nuk do të jetë i papëlqyeshëm, nëse ai është i fuqishëm dhe ka mundësi ta bëjë këtë.

Duke komentuar rreth kësaj çështjeje, Tirmidhiu thotë: “Një grup dijetarësh nuk e pëlqejnë agjërimin e çdo dite, nëse përfshin dhe ditët e bajramit dhe teshrikët. Nëse ai e ndërpret agjërimin në këto ditë, agjërimi i tij nuk është më i papëlqyeshëm, pasi nuk përfshin të gjithë vitin. Ky grup dijetarësh janë Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku.

Profeti (a.s.) e ka përkrahur agjërimin e vazhdueshëm të Hamza El Eslemit dhe i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Ky hadith është përmendur dhe më parë. [63]

Më e vlefshme është që një ditë të agjërohet dhe një ditë jo, ngase ky është agjërimi më i dashur tek Allahu. Megjithatë, për këtë do të flitet më vonë me detaje.

 

7-Nuk i lejohet gruas të agjërojë pa lejen e burrit, kur ky i fundit është me të

I Dërguari i Allahut ia ka ndaluar gruas të agjërojë kur burri i saj është prezent, përveç rasteve kur ai e lejon një gjë të tillë.

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Përveç muajit të Ramazanit, gruas nuk i lejohet të agjërojë qoftë edhe një ditë, kur burri i saj është prezent, përveçse me lejen e tij”.[64] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët e interpretojnë këtë hadith si një ndalesë dhe ata e lejojnë burrin t’ia ndërpresë agjërimin gruas, nëse ajo ka agjëruar pa lejen e tij e të kërkojë të drejtën (seksuale) prej saj. Natyrisht që kjo qëndron për ato ditë jashtë ditëve te Ramazanit, pasi për agjërimin e detyruar të Ramazanit asaj nuk i duhet leja e burrit. Nëse burri mungon, ajo ka të drejtë të agjërojë vullnetarisht pa kërkuar lejen e tij, por është e drejtë e tij që kur të kthehet ta prishë agjërimin e saj. Nëse burri është i sëmurë apo i paaftë për të kryer marrëdhënie seksuale, gruas i lejohet të agjërojë pa lejen e tij, pasi ky rast është i ngjashëm me rastin kur burri nuk ndodhet pranë gruas së tij.

 

8 Është e ndaluar të agjërohet dy ditë rresht ose më shumë pa ngrënë fare:

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin (të agjëruarit pa ndërprerje)! Ai e tha këtë tre herë dhe njerëzit i thanë: “Por ju po e praktikoni vetë këtë o i Dërguari i Allahut”. Ai tha: “Ju nuk jeni si unë në atë çështje. Unë e kaloj natën në një gjendje të tillë dhe Allahu më ushqen dhe më jep për të pirë. Përkushtohuni në ato vepra që mund t’i bëni”.[65] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët janë të mendimit se kjo ndalesë tregon se veprimi në fjalë është i papëlqyeshëm.

Ahmedi, Is’haku dhe Ibën Mundhiri janë të mendimit se lejohet të agjërohet deri në kohën e syfyrit, për aq kohë sa kjo nuk është një vështirësi për vetë personin. Ky mendim bazohet në atë që Buhariu ka transmetuar nga Ebu Seid El Hudri, sipas të cilit i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin. Nëse ndonjëri nga ju ngul këmbë për ta bërë këtë, ai mund ta vazhdojë agjërimin e tij deri në kohën e syfyrit”.[66]

 

 

AGJËRIMET VULLNETARE

Profeti (a.s.) na nxit për të agjëruar në ditët e mëposhtme:

 

Gjashtë ditë nga muaji Sheval

Ebu Ejub El Ensari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin”.[67] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Nesaiut. [68]

Sipas Ahmedit këto ditë mund të agjërohen rresht ose jo, pasi asnjëra nuk preferohet nga tjetra. Hanefitë dhe shafitë janë të mendimit se është e preferueshme që këto ditë të agjërohen rresht pas ditëve të Bajramit.

 

Agjërimi i dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, veçanërisht ditën e Arafatit për ata që nuk janë në haxh

Ebu Katade transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i fal gabimet e dy viteve, një vit përpara dhe një vit pas. Agjërimi i ditës së Ashures fal gabimet e vitit të kaluar”.[69] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Tirmidhiut.

Hafsa tregon se Profeti (a.s.) katër gjëra nuk i kishte braktisur kurrë; agjërimin e ditës së Ashures; agjërimin e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, agjërimin e tre ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para namazit të agimit.[70] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Ukbe ibën Amir transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe ditët e teshrikut janë ditë feste për ne pjesëtarët e Islamit. Ato janë ditë, në të cilat hahet dhe pihet”.[71] Transmetohet nga “Të pestët”, përveç Ibën Maxhes. Tirmidhiu e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Hurejra thotë se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit për atë që është në Arafat atë ditë.[72] Kjo transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Tirmidhiu thotë se dijetarët preferojnë që dita e Arafatit të agjërohet, përveç atyre që janë në Arafat.

Umu El Fadl ka thënë se njerëzit dyshonin nëse Profeti (a.s.) po agjëronte apo jo në ditën e Arafatit. Ajo i dërgoi atij pak qumësht dhe ai e piu ndërsa po u fliste njerëzve në Arafat.[73] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Agjërimi gjatë muajit Muharrem, veçanërisht ditën e Ashures dhe ditët që e paraprijnë dhe e shoqërojnë atë

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) është pyetur se cili namaz është më i vlefshëm pas namazeve të detyruara. Ai i ka thënë: “Namazi gjatë mesit të natës”. Pastaj e ka pyetur se cili agjërim është më i mirë pas agjërimit të Ramazanit dhe Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Muaji i Allahut që ju e quani Muharrem”.[74] Transmetohet nga Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Muavije ibën Ebu Sufjan tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përsa i përket ditës së Ashures, nuk është e detyrueshme për ju të agjëroni, megjithëse unë agjëroj. Kush dëshiron, le të agjërojë e kush nuk dëshiron, nuk është i detyruar të agjërojë”.[75] Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Aishja (r.a.) tregon se Kurejshët e kishin zakon të agjëronin ditën e Ashures përpara Islamit. Edhe Profeti (a.s.) e agjëronte atë ditë. Kur shkoi në Medine, ai vazhdoi të agjëronte dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin edhe ata. Pastaj, kur muaji i Ramazanit u bë i detyrueshëm, ai tha: “Kush dëshiron mund ta agjërojë ditën e Ashures dhe kush do mund ta lërë atë”.[76] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Abasi tregon se Profeti (a.s.) shkoi në Medine dhe i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashures. U tha: “Për çfarë e bëni këtë agjërim?” Ata i thanë: “Është një ditë e madhe, se Allahu e shpëtoi Musain dhe fiset e Izraelit nga armiqtë e tyre në këtë ditë, prandaj dhe Musai ka agjëruar në këtë ditë”. Profeti (a.s.) u tha: “Ne kemi më shumë të drejta tek Musai se ju”. Kështu, ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin në atë ditë.[77] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas Buhariut dhe Muslimit, Ebu Musa El Eshariu tregon se çifutët e nderonin ditën e Ashures si një festë bajrami. Profeti (a.s.) tha: “Ju duhet të agjëroni në të”.[78]

Ibën Abasi transmeton se Dërguari i Allahut agjëroi ditën e Ashures dhe urdhëroi njerëzit të agjëronin bashkë me të. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është dita që e nderojnë çifutët dhe të krishterët. Profeti (a.s.) u tha: “Kur të vijë viti tjetër në dashtë Allahu, ne do të agjërojmë ditën e nëntë”. Ndodhi që Profeti (a.s.) ndërroi jetë para vitit pasardhës.[79] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi. Në një version tjetër thuhet: “Nëse do jem gjallë deri vitin tjetër, do të agjërojmë ditën e nëntë”.[80] (së bashku me Ashuren). Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Dijetarët kanë përmendur agjërimin e Ashures në tre mënyra:

(1) Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem.

(2) Agjërimi në datën 9 dhe 10 të këtij muaji.

(3) Agjërimi vetëm në datën 10 Muharrem.

 

Bujaria me ushqimet e shtëpisë ditën e Ashures

Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin”.[81] Këtë e transmeton Bejhakiu në librin “Esh-Shuab” dhe Ibën Abdul Berr. Hadithi ka zinxhirë të tjerë transmetimi, por të gjithë ata janë të dobët. Megjithatë, të tubuar të gjithë bashkë ata e forcojnë rangun e hadithit, siç thotë dhe Sehavi.

Agjërimi i pjesës më të madhe të muajit Shaban (muaj paraprirës i Ramazanit)

Profeti (a.s.) agjëronte pjesën me të madhe të muajit Shaban. Aishja (r.a.) tregon se kurrë nuk e kishte parë Profetin (a.s.) të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit dhe se kurrë nuk e kishte parë atë të agjëronte më shumë gjatë një muaji se sa në muajin Shaban.[82] Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Njëherë Usame ibën Zejdi i tha Profetit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Nuk të shoh të agjërosh në asnjë muaj tjetër, ashtu siç bën në muajin Shaban”. Profeti (a.s.) iu drejtua dhe i tha: “Ai është muaji që njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje. Ai është midis Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është muaji, gjatë të cilit ngrihen veprat tek Zoti i botërave dhe unë preferoj të jem agjërueshëm kur të ngrihen veprat e mia”.[83] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Nesaiu. Ibën Huzejme e vlerëson këtë hadith si të vërtetë.

Disa njerëz veçojnë në agjërim ditën e pesëmbëdhjetë të këtij muaji, duke menduar se ajo ditë përmban më shumë vlera se të tjerat, por kjo gjë është e pabazuar dhe nuk mbështetet në ndonjë argument të vërtetë.

 

Agjërimi gjatë “muajve të ndaluar” (Esh’hur el-hurum)

Këta muaj janë Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Është e pëlqyeshme që gjatë këtyre muajve të agjërohet sa më shumë. Një burrë nga Bahileh shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam ai që erdhi tek ju një vit më parë”. Profeti (a.s.) i tha: “Çfarë të ka gjetur? Ke qenë shumë më i pashëm!”Ai u përgjigj: “Nuk kam ngrënë, përveçse natën që kur u ndava prej jush”. Profeti (a.s.) i tha: “Përse e ke dënuar veten? Agjëro gjatë muajit të durimit (Ramazanit) dhe nga një ditë në çdo muaj”. Burri tha: “Më shto diçka tjetër, pasi unë kam më shumë forcë dhe mundësi për të agjëruar”. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro nga dy ditë (të çdo muaji)”. Burri këmbënguli dhe tha: “Më shto përsëri”. Atëherë Profeti (a.s.) i tha tre herë: “Agjëro nga “muajt e ndaluar” (tri ditë rresht) dhe lëre agjërimin (tri ditë rresht)”. Ai tregoi me tre gishtat e tij duke i mbledhur dhe i lëshuar ato.[84] Hadithi transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Bejhakiu me zinxhir të mirë transmetimi.

Agjërimi gjatë Rexhebit nuk përmban më shumë vlera se agjërimi në muajt e tjerë. Nuk ka ndonjë transmetim të vërtetë nga Suneti që të tregojë se agjërimi në muajin Rexheb ka një shpërblim të veçantë. Gjithçka që ka pasur lidhje me të nuk ka qenë plotësisht e konsiderueshme për t’u marrë si provë.

Ibën Haxheri thotë se nuk ka hadith autentik, që është i vlefshëm për argmentim rreth vlerave të tij e as agjërimit të tij apo ditëve të caktuara të tij dhe as rreth faljes së namazit në ndonjë natë të veçantë prej netëve të këtij muaji.

 

Agjërimi i të hënave dhe të enjteve

Ebu Hurejra transmeton se ditët që Profeti (a.s.) agjëronte më tepër ishin e hëna dhe e enjtja. Kur u pyet rreth kësaj, ai tha: “Veprat paraqiten (te Allahu) çdo të hënë dhe të enjte. Allahu fal çdo musliman apo çdo besimtar, përveç atyre që janë grindur me njëritjetrin. Ai thotë: Lërini ata për më vonë”.[85] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Në “Sahih Muslim” thuhet se, kur u pyet Profeti (a.s.) rreth agjërimit të ditës së hënë, tha: “Ajo është dita kur unë kam lindur dhe është dita që më ka ardhur shpallja”.[86]

 

Agjërimi i tre ditëve të çdo muaji

Ebu Dherr El Gafari transmeton se Profeti (a.s.) i kishte urdhëruar të agjëronin tre ditë të çdo muaji, pikërisht ditët me hënë të plotë (13, 14, 15 sipas kalendarit hënor). Ai ka thënë në lidhje me to: “Nëse agjëron ato ditë, është si të agjërosh gjithë vitin”.[87] Transmeton Nesaiu dhe Ibën Hibani, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Tregohet se Profeti (a.s.) agjëronte të shtunën, të dielën dhe të hënën e një muaji dhe të martën, të mërkurën dhe të enjten e muajit tjetër.[88]

Gjithashtu, ai agjëronte tre ditë në fillim të muajit. Po ashtu agjëronte të enjten e parë dhe dy të hënat e pasardhëse të muajit.[89]

 

Agjërimi një ditë po dhe një ditë jo

Ebu Seleme ibën Abdurrahman transmeton nga Abdullah ibën Amër se Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Më kanë thënë se ti falesh natën dhe agjëron ditën (vazhdimisht)”. Abdullahu iu përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut”. Pastaj Profeti i tha: “Agjëro dhe ha, falu dhe fli, pasi ti ke detyrime ndaj trupit tënd, ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj mysafirit tënd. Është e mjaftueshme për ty të agjërosh tre ditë të një muaji”. Abdullahu donte ta nënshtronte veten e tij dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam fuqi për më tepër. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro tre ditë në javë”. Abdullahu tha: “Unë kam fuqi për më tepër”. Atëherë, Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro sipas agjërimit të Profetit të Allahut, Daudit dhe mos bëj më tepër!” Abdullahu e pyeti: “Cili ishte agjërimi i Daudit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ai agjëronte një ditë dhe hante në tjetrën”.[90] Transmeton Ahmedi dhe të tjerë.

Ahmedi transmeton nga Abdullah ibën Amri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i pëlqyer tek Allahu është agjërimi i Daudit dhe namazi më i pëlqyer tek Allahu është namazi i Daudit. Ai flinte gjysmën e natës, 1/3 e kalonte duke u falur dhe pjesën e mbetur flinte përsëri. Gjithashu, ai agjëronte një ditë po dhe një ditë jo”.[91]

 

Ai që agjëron vullnetarisht një ditë të caktuar mund ta ndërpresë agjërimin e tij

Umu Hani tregon se Profeti (a.s.) hyri në dhomën e saj, ditën kur u çlirua Meka. I dhanë diçka për të pirë dhe piu. Pastaj ai ia dha Umu Hanit dhe ajo i tha se agjëronte. Profeti (a.s.) i tha: “Ai që agjëron vullnetarisht është përgjegjës për veten e tij. Nëse do, agjëro e nëse do prishe agjërimin tënd”.[92] Transmeton Ahmedi, Darakutni dhe Bejhakiu.

Edhe Hakimi e transmeton këtë hadith dhe thotë se zinxhiri i tij është i vërtetë. Në versionin e tij thuhet: “Nëse dikush dëshiron, mund të agjërojë dhe nëse dëshiron, mund ta prishë atë”.

Ebu Xhuhejfe tregon se Profeti vëllazëroi Selmanin dhe Ebu Derdanë. Njëherë Selmani i bëri vizitë Ebu Derdasë dhe vuri re se e shoqja e tij, Umu Derdaja, mbante rroba shumë të thjeshta. Ai i tha asaj: “Çfarë të ka ndodhur?” Ajo i tha se vëllai i tij (Ebu Derdaja) nuk kishte asnjë nevojë për dynjanë (dhe nuk e vriste fare mendjen për të). Kur erdhi Ebu Derdaja, ai përgatiti ushqim për Selmanin dhe i tha: “Ha, pasi unë agjëroj”. Selmani tha: “Nuk do të ha, derisa të hash dhe ti”. Kështu hëngri dhe ai. Natën, Ebu Derdaja u ngrit për t’u falur dhe Selmani i tha të flinte. Ashtu bëri. Në fund të natës, Selmani e zgjoi Ebu Derdanë dhe i tha: “Falu tani”. Ata u falën të dy dhe Selmani i tha: “Ndaj Zotit ke detyrime, ndaj vetes tënde ke detyrime dhe ndaj gruas tënde ke detyrime. Jepi secilit të drejtën që i takon”.

Më vonë, Ebu Derdaja shkoi tek Profeti (a.s.) për t’i treguar se çfarë kishte thënë Selmani. Pasi e dëgjoi, Profeti (a.s.) i tha: “Selmani ka thënë të vërtetën”.[93] Transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

Ebu Seid El Hudri tregon se, njëherë po përgatiste ushqim për Profetin (a.s.). Ai shkoi tek ai me disa nga shokët e tij. Kur u shtrua ushqimi, njëri nga burrat tha se agjëronte. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Vëllait yt të ka ftuar dhe ka shpenzuar për ty”. Pastaj ai tha: “Prishe agjërimin dhe agjëro një ditë tjetër, nëse do”.[94] Transmeton Bejhakiu.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit si ai që agjëron vullnetarisht, mund ta prishë atë. Megjithatë, preferohet që ai ta zëvendësojë atë më vonë. Ky mendim është i qartë dhe mbështetet nga hadithet autentike.

 

Rregulla rreth agjërimit

 

Për atë që agjëron është e pëlqyeshme të veprojë si më poshtë:

 

1- Ngrënia e syfyrit

Të gjithë muslimanët bien dakord se është e pëlqyeshme që të hahet syfyr dhe se nuk përbën ndonjë gabim për atë që nuk e bën këtë. Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: Ngrihuni të hani syfyr, pasi në të ka bereqet”.[95] Transmeton Muslimi dhe Buhariu.

El Mikdam ibën Madijekrub transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ngrihuni të hani syfyr, pasi ai është ushqim i bekuar”.[96] Transmeton Nesaiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Arsyeja pse syfyri është i bekuar është se ai e forcon agjërimin e personit, e bën atë më energjik dhe ia lehtëson atij agjërimin.

 

(a) Si realizohet ngrënia e syfyrit?

Prej traditës profetike është që të ngrihesh në syfyr dhe të hash shumë ose pak ushqim, madje dhe të pish një gllënjkë ujë. Ebu Seid El Hudri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Syfyri është i bekuar, kështu që mos e lini atë, qoftë edhe duke pirë një gllënjkë ujë. Allahu dhe engjëjt e Tij luten për ata që hanë syfyr”.[97] Transmeton Ahmedi.

 

(b) Koha e syfyrit

Koha e syfyrit është ndërmjet mesit të natës dhe agimit. Është mirë që syfyri të vonohet (sa më afër agimit). Zejd ibën Thabit tregon: “Ne hëngrëm syfyr me të Dërguarin e Allahut dhe pastaj u ngritëm të falnim sabahun”. E pyeta Profetin (a.s.): Sa është koha ndërmjet të dyjave?” Ai u përgjigj: (Sa për të lexuar) 50 ajete”.[98] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Amër ibën Mejmun shton: “Shokët e Profetit ishin të parët që e prishnin agjërimin dhe të fundit që hanin syfyr”.[99] Transmeton Bejhakiu, sipas një zinxhiri të vërtetë transmetuesish.

Ebu Dherr El Gafari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Umeti im do të ketë gjithmonë të mira, derisa të shpejtojë iftarin dhe të vonojë syfyrin”.[100] Ky hadith përmban në zinxhirin e tij Sulejman ibën Ebu Othmanin, i cili është i panjohur.

 

(c) Dyshimi rreth kohës së agimit

Nëse dikush është në dyshim, nëse ka filluar apo jo koha e agimit, ai mund të hajë derisa të sigurohet për këtë. Ai nuk duhet të bazohet në dyshim apo mëdyshje. Allahu e ka bërë kufirin e ushqimit dhe pijes të qarta. Ai urdhëron në Kuran dhe thotë:

وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمْ الْخَيْطُ الأَبْيَضُ مِنْ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ

“Hani dhe pini, derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi”.[101]

Një burrë i tha Ibën Abasit: “Unë ha dhe kur dyshoj se koha ka mbaruar s’ha më”. Ibën Abasi i tha: “Vazhdo të hash, derisa të jesh i sigurt se nuk dyshon. Ebu Daudi tregon se Ahmed ibën Hanbeli ka thënë: “Nëse dyshon për fillimin e agimit, atëherë ha derisa të sigurohesh se ai ka hyrë”. Ky është edhe mendimi i Ibën Abasit, Ataut, Euzait dhe Ahmedit.

Neveviu informon se pasuesit e Shafiut janë dakord se personi mund të hajë, nëse ai ka dyshim rreth hyrjes së agimit.

 

2- Shpejtimi i çeljes së iftarit

Është e pëlqyeshme për agjëruesin ta shpejtojë iftarin kur dielli ka perënduar. Sehël ibën Sad tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi për aq kohë sa shpejtojnë iftarin”.[102] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Agjërimi është mirë të prishet me një numër tek hurmash ose në mungesë të tyre me ujë. Enesi tregon se i Dërguari i Allahut e prishte agjërimin me hurma të pjekura përpara se të falej. Nëse nuk gjente, merrte hurma të thara dhe nëse nuk kishte as nga ato, pinte pak ujë (për të prishur agjërimin).[103] Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi. Ky i fundit e quan atë të vërtetë, ndërsa Tirmidhiu e konsideron të besueshëm (hasen).

Selman ibën Amir tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju po agjëron, ai duhet ta çelë iftarin me hurma. Nëse nuk gjen, atëherë me ujë, pasi uji është pastërti”.[104] Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasan-sahih.

Hadithi pararendës tregon se është mirë ta prishim agjërimin para faljes së akshamit, siç e cituam më sipër. Pas faljes, personi mund të vazhdojë të hajë. Nëse darka është gati mund të fillohet me të. Enesi tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ushqimi është shtruar, hani përpara faljes së akshamit dhe mos e hani darkën me nxitim”.[105] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

3- Lutjet gjatë agjërimit dhe në fund të tij

Ibën Maxhe transmeton nga Abdullah ibën Amër ibën El As se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për agjëruesin në kohën e iftarit të tij ka një lutje, e cila nuk kthehet mbrapsht”.[106] Kur Abdullahu e prishte agjërimin thoshte: “O Allah! Unë të kërkoj të më falësh me mëshirën tënde që përfshin çdo gjë!”

Konfirmohet se Profeti (a.s.) thoshte në fund të agjërimit: “Iku etja, u freskuan venat dhe me dëshirën e Zotit është arritur shpërblimi”.[107]

Po ashtu, tregohet në formën mursel se ai thoshte: “O Allah! Për ty agjërova dhe me rizkun tënd po e prish agjërimin”.[108]

Tirmidhiu transmeton nëpërmjet një zinxhiri të besueshëm se Profeti (a.s.) ka thënë: “Tre personave nuk u kthehet lutja mbrapsht; agjëruesit në fund të agjërimit, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”.[109]

 

4- Ndalimi nga kryerja e veprave që bien në kundërshtim me agjërimin

Agjërimi është nga adhurimet më të vlefshme dhe e afron njeriun me Zotin. Allahu i Madhëruar e ka caktuar atë, me qëllim për të pastruar shpirtin dhe për ta stërvitur për punë të mira. Agjëruesi duhet të ketë kujdes nga veprat që e bëjnë atë të humbasë të mirat e agjërimit.

Në këtë mënyrë rritet devotshmëria e tij, siç thotë Allahu në Kuran:

 

َاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

“O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte dhe për ata para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare, 183)

Agjërim nuk është vetëm të ndaluarit nga të ngrënët dhe të pirët, por dhe nga çdo gjë që e ka ndaluar Allahu.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërim nuk është vetëm të ndaluarit e pijes dhe të ushqimit, por gjithashtu dhe nga fjalët e këqija dhe përgojimet. Nëse dikë nga ju e shajnë apo e ngacmojnë, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj”.[110] Transmeton Ibën Huzejme, Ibën Hibani dhe Hakimi. Ky i fundit e cilëson hadithin të vërtetë, sipas kritereve të Muslimit.

Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush nuk e lë dëshminë e rrejshme dhe veprimet e ngjashme me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta lërë[111] ushqimin dhe pijen e tij”.[112]

Në një hadith tjetër, Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ndodh që agjëruesi të mos përfitojë nga agjërimi i tij veç urisë e ai që falet natën të mos fitojë asgjë, përveç pagjumësisë”.[113] Transmeton Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Ky i fundit e cilëson hadithin të vërtetë sipas kritereve të Buhariut.

 

5- Përdorimi misvakut ose i furçës

Është e pëlqyeshme që agjëruesi të përdorë furçë apo misvak, si në fillim, ashtu dhe në fund të ditës, pasi kjo nuk përbën ndonjë problem.

Tirmidhiu pohon se sipas Shafiut përdorimi i misvakut (furçës) në fillim apo në fund të ditës nuk përbën ndonjë problem. Profeti (a.s.) e ka përdorur misvakun gjatë agjërimit.[114]

 

6- Bujaria dhe studimi i Kuranit

Bujaria dhe studimi i Kuranit këshillohet në çdo kohë, por theksohet veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit. Buhariu transmeton se Ibën Abasi ka thënë: “Profeti (a.s.) ishte më bujari nga ne, por më bujar ishte në muajin e Ramazanit, kur takohej me Xhibrilin. E takonte çdo natë dhe i lexonte Kuranin. Kur takohej me Xhibrilin, ai bëhej më bujar se një erë e shpejtë.[115][116]

 

7- Përpjekja për të bërë sa më shumë vepra të mira gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit

Buhariu dhe Muslimi kanë regjistruar nga Aishja, se Profeti (a.s.) gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit falte shumë namaz natën, zgjonte familjen e tij dhe shtrëngonte izarin (nuk kryente marrëdhënie intime dhe i jepej adhurimit më tepër se zakonisht).[117]

Një version i Muslimit thotë se ai përpiqej të bënte adhurim në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit më shumë se në çdo kohë tjetër.[118] Gjithashtu, Tirmidhiu e ka transmetuar këtë nga Aliu (r.a.).[119]

 

 

VEPRAT E LEJUARA GJATË AGJËRIMIT

 

Veprimet e mëposhtme i lejohen agjëruesit:

1- Larja me ujë dhe zhytja në të

Ebu Bekër ibën Abdurrahmani tregon se një numër shokësh të Profetit (a.s.) kanë thënë se e kanë parë të Dërguarin e Allahut të lagë kokën e tij, ndërsa ishte agjërueshëm, si pasojë e vapës së madhe dhe etjes.[120] Transmeton Ahmedi, Maliku dhe Ebu Daudi me një zinxhir të vërtetë.

Në të dy librat e përmbledhjes së haditheve të vërteta të Buhariut dhe Muslimit transmetohet nga Aishja se, kur Profeti (a.s.) ishte agjërueshëm, ai ngrihej në mëngjes dhe merrte gusël (larje e plotë e trupit).[121]

Nëse gjatë larjes kapërdihet ujë pa dashje, agjërimi nuk prishet.

 

2- Përdorimi i kohlit, ilaçeve me pika apo diçkaje tjetër në sy

Këto veprime janë të lejueshme, edhe nëse ndihet shija e tyre në fyt, pasi sytë nuk janë rrugë përcjellëse për në stomak. Enesi tregon se ai përdorte kohl, ndërsa ishte agjërueshëm.[122]

Ky është edhe mendimi i shafive. Ibën El Mundhir ka regjistruar të njëjtin mendim nga Atau, El Hasani, Nehai, Euzai, Ebu Hanife, Ebu Thauri dhe Daudi. Transmetohet nga shokët e Profetit: Ibën Umeri, Enesi dhe Ibën Ebu Aufa. Sipas Tirmidhiut asgjë autentike nuk është transmetuar nga Profeti rreth kësaj pike.

 

3- Puthja për atë që ka mundësi ta kontrollojë veten

Vërtetohet nga Aishja se Profeti (a.s.) puthte dhe përqafonte, kur ishte agjërueshëm pasi ai kishte më shumë se çdo njeri kontroll mbi dëshirat e tij.[123]

Omeri tregon se e kishte puthur njëherë gruan e tij, ndërsa agjëronte. Shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “Sot kam bërë diçka të tmerrshme. Putha gruan, ndërkohë që isha agjërueshëm”. Profeti (a.s.) e pyeti: “Çfarë mendimi ke për shpëlarjen e gojës gjatë agjërimit? Ai i tha se nuk përbënte ndonjë problem. Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Atëherë, përse pyet?!” [124]

Ibën El Mundhiri thotë se Umeri, Ibën Abasi, Ebu Hurejra, Aishja, Atau, Shabi, Hasani, Ahmedi dhe Is’haku e lejojnë puthjen. Hanefitë dhe shafitë thonë se ajo është e papëlqyeshme, nëse ngjall epshet e personit dhe nëse jo, nuk është e papëlqyeshme, por më e mirë është që ajo të shmanget.

Nuk ka dallime midis të riut dhe të moshuarit në këtë çështje. Çështja qëndron nëse ajo ngjall apo jo epshe tek personi. Nëse po, është e papëlqyeshme. Nëse jo, nuk është e papëlqyeshme, megjithëse është më mirë të shmanget. Nuk ka rëndësi nëse puthja është në faqe, buzë etj. Të prekurit me dorë dhe përqafimi trajtohen në të njëjtën mënyrë, ashtu si dhe puthja.

 

4- Injeksionet e çdo lloji

Injeksionet nuk e prishin agjërimin, qofshin ato ushqyese apo jo. Nuk ka rëndësi nëse ajo është bërë në lëkurë apo në vena. Po ashtu, nuk përbën ndonjë problem, nëse ajo ç’ka injektohet arrin në stomak, pasi nuk arrin atje nëpërmjet rrugëve normale (siç bën ushqimi).

 

5- Nxjerrja e gjakut nga pjesa e pasme e kokës

Profeti (a.s.) ka hedhur kupa, edhe kur ka qenë agjërueshëm. Megjithatë, nëse ky veprim çon në dobësimin e personit, atëherë është i papëlqyeshëm. Thabit El Bunani ka pyetur Enesin, nëse e konsideronin të papëlqyeshme apo jo hedhjen e kupave në kohën e Profetit (a.s.). Ai i është përgjigjur: “Jo, përderisa ajo nuk çon në dobësimin fizik të personit”.[125] Transmetohet nga Buhariu dhe të tjerët.

E njëjta gjë vlen dhe për “Fasd-in” (marrja e gjakut nga çdo pjesë e trupit).

 

6- Shpëlarja e gojës dhe e hundës

Këto veprime në përgjithësi janë të lejuara, por nuk pëlqehet të tejkalohet masa si përdorimi i një sasie të madhe uji apo futja e ujit thellë në gojë dhe në hundë gjatë kohës së agjërimit.

Lakit ibën Sabra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lajeni sa më thellë hundën, përveç rastit kur jeni agjërueshëm”.[126] Transmetojnë autorët e përmbledhjes së haditheve. Tirmidhiu e quan këtë hadith hasen sahih.

Dijetarët nuk e pëlqejnë përdorimin e pikave në hundë për agjëruesin, pasi ata janë të mendimit se kjo e prish agjërimin. Mendimi i tyre mbështetet nga një hadith. Ibën Kudame përmbledh mendimet e ndryshme për këtë çështje dhe thotë se nuk përbën problem, nëse për dikë gjatë shpëlarjes së hundës ose gargarës gjatë të pastruarit (p.sh për namaz), pa dashje dhe jo si pasojë e teprimit i hyn ujë në fyt. Ky është edhe mendimi i Euzait, Is’hakut dhe një deklaratë nga Shafiu. Ibën Abasi ka të njëjtin mendim.

Maliku dhe Ebu Hanife janë të mendimit se agjërimi prishet, pasi hyn ujë në stomak. Nëse personi ka qenë në dijeni që ishte agjërueshëm, agjërimi prishet, ashtu sikur ai të ketë pirë me qëllim.

Ibën Kudame thotë se mendimi i parë është më i saktë, përderisa uji arriti në fyt pa dashje dhe pa tepricë. Kjo është e ngjashme me një mizë që të hyn në gojë dhe të kalon në fyt. Kjo e dallon atë nga një veprim i qëllimshëm.

 

7- Ato gjëra nga të cilat njeriu nuk mund të mbrohet

Si për shembull, kalimi i pështymës, pluhurit të rrugës, sitja e miellit e duke përfshirë të tjera si këto. Ibën Abasi thotë se nuk përbën problem të provuarit e ushqimeve të lëngshme apo të provuarit e diçkaje që dikush dëshiron ta blejë. Hasani përtypte arra për nipin e tij, ndërsa ishte agjërueshëm. Këtë e lejon dhe Ibrahimi. Përtypja e ndonjë lënde pa shije është e papëlqyeshme, nëse nuk ndahet në pjesë. Ata që thonë se është i papëlqyeshëm janë Shuabi, Nahai, hanefitë, shafitë dhe hanbelitë.

Aishja dhe Atau e lejojnë përtypjen, pasi asgjë nuk arrin në stomak dhe është e ngjashme me futjen në gojë të një guraleci që nuk ndahet në pjesë. Nëse ndahet në pjesë dhe hyn në stomak, agjërimi prishet.

Ibën Tejmije thotë se nuhatja e parfumeve nuk e prish agjërimin. Më tej ai shton: “Përsa i përket kohlit, injeksioneve, hedhjes së pikave në kanalin urinues për arsye shëndetësore dhe kurimeve për probleme të trurit apo stomakut, ka diskutime ndërmjet dijetarëve. Disa thonë se asnjëra prej këtyre nuk e prish agjërimin, ndërsa disa të tjerë thonë se të gjitha ato e prishin agjërimin, përveç kohlit. Të tjerë thonë se të gjitha ato e prishin agjërimin, përveç kohlit dhe hedhjes së pikave”.

Ai thotë se mendimi i parë për këtë çështje është më i pëlqyeri. Përfundimi më i dukshëm është se asnjëra prej tyre nuk e prish agjërimin. Agjërimi është pjesë e fesë islame dhe për rregullat e tij duhet të jenë të vetëdijshëm si njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe dijetarët. Nëse veprimet e mësipërme do të ishin të ndaluara nga Allahu dhe Profeti i Tij për agjëruesin pasi do të prishnin agjërimin, atëherë do të kishte qenë detyrë e Profetit për ta qartësuar këtë fakt. Nëse ai do ta kishte bërë këtë, shokët e tij do të ishin në dijeni për këtë dhe do t’ia kishin transmetuar muslimanëve të tjerë. Përderisa nuk kemi asgjë të transmetuar nga Profeti (a.s.) në hadithe autentike, të dobët, as në formën mursel dhe as në atë musnad, kjo do të thotë se këto veprime nuk e prishin agjërimin, pasi në të kundërt Profeti (a.s.) do ta kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Gjithashtu, Ibën Tejmije thotë se, nëse do të ishte një rregull që ndikonte në jetën e përditshme dhe ndikonte tek të gjithë muslimanët, atëherë Profeti (a.s.) do ta kishte bërë të qartë në një audiencë të hapur. Dihet se kohli ishte i përhapur ashtu si vajrat, pastrimet, temjani, dhe parfumi. Nëse ato do ta prishnin agjërimin, Profeti (a.s.) do t’i kishte përmendur ato ashtu siç përmendi gjërat e tjera që e prishin agjërimin. Përderisa ai nuk e bëri këtë, ato i përkasin kategorisë së parfumeve, temjanit dhe bojrave. Temjani hyn nëpërmjet hundës në kokë dhe përqëndrohet mbi trup. Bojrat ose vajrat thithen nga lëkura dhe trupi freskohet me to. I njëjtë është dhe rasti i parfumit. Përderisa këto nuk janë ndaluar haptazi për agjëruesin, qëndron fakti se përdorimi i tyre është i lejuar dhe i tillë është edhe kohli. Në kohën e Profetit (a.s.) muslimanët plagoseshin në xhihad kur ishin agjërueshëm dhe nëse kjo do t’ua prishte agjërimin, do të ishte bërë e qartë për ta nga ana e Profetit (a.s.). Përderisa kjo gjë nuk ishte e ndaluar për agjëruesin, atëherë nuk e prish agjërimin. Ibën Tejmije vijon dhe thotë se askush nuk e ha kohlin dhe askush nuk e fut atë në stomak dhe as në hundë e gojë.

Klizmat anale gjithashtu nuk konsiderohen si ushqim. Në të vërtetë ato ndihmojnë trupin të nxjerrë çfarë ka në zorrë dhe nuk arrin në stomak. Po ashtu, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ilaçet që përdoren për kurimin e lagët ose plagosjet në kokë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ

“Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte dhe për ata para jush”.

Ndërsa Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi është mbrojtje”[127] dhe “Me të vërtetë djalli lëviz në trup siç qarkullon gjaku (në trupat tuaj). Ju duhet ta ndaloni lëvizjen e tij me uri dhe agjërim”.[128]

Qëllimi i agjërimit është devotshmëria, prandaj agjëruesi nuk duhet të hajë dhe të pijë, pasi nga të ngrënët dhe të pirët venat mbushen plot me gjak, në të cilat qarkullon shejtani. Pra, nëpërmjet të ngrënit dhe të pirët lehtësohet lëvizja e shejtanit dhe jo nëpërmjet klizmave, kohlit apo ilaçeve të përdorura përmes organeve gjenitale apo të përdorura për të kuruar plagët e stomakut dhe të trurit.

 

8- Agjëruesi mund të hajë, të pijë dhe të kryejë marrëdhënie seksuale deri në agim

Nëse dikush ka në gojë ushqim në kohën kur hyn agimi, ai duhet ta pështyjë dhe ta nxjerrë atë dhe nëse është duke bërë marrëdhënie me gruan e tij, ai duhet të largohet menjëherë. Në qoftë se vepron kështu, agjërimi i tij është i vlefshëm, por nëse nuk i ndërpret këto veprime, atëherë agjërimi i tij është i prishur.

Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin ndërkohë që është ende natë, prandaj hani e pini derisa Ibën Umu Mektumi të thërrasë ezanin (e dytë)”.[129]

 

9- Agjëruesit i lejohet ta fillojë agjërimin, edhe nëse është xhunub

Ai duhet të pastrohet pas agimit. Për këtë temë kemi hadithin e lartpërmendur të Aishes.

 

10- Gruaja me menstruacione dhe lehona

Nëse gruas me menstruacione dhe asaj që është lehone i ndërpritet hemoragjia gjatë natës, ajo mund ta shtyjë pastrimin deri pas agimit dhe të vazhdojë të agjërojë, por ajo duhet të pastrohet para namazit të sabahut.

 

 

Veprat që e prishin agjërimin

 

Këto vepra ndahen në dy grupe:

a- Ato vepra që e prishin agjërimin dhe personit i del për detyrë t’i zëvëndësojë më vonë ato ditë.

b- Ato veprime që e prishin agjërimin dhe përveç zëvendësimit është e nevojshme edhe një shlyerje.

Në grupin e parë përfshihen punët e mëposhtme:

 

 

  • Ngrënia dhe pirja me qëllim

Nëse dikush ha nga harresa, gabimisht apo i detyruar nga dikush, atëherë ai nuk është i detyruar ta zëvendësojë atë ditë më vonë apo ta shlyejë këtë veprim.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që ha ose pi nga harresa duhet ta vazhdojë agjërimin, pasi Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë për të pirë atij”.[130] Transmeton “Grupi”.

Duke e komentuar këtë çështje, Tirmidhiu thotë se shumica e dijetarëve veprojnë sipas këtij hadithi. Ky është mendimi i Sufjan Thaurit, Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Ebu Hurejra thotë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e prish agjërimin gjatë Ramazanit nga harresa, nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë dhe as të bëjë ndonjë shlyerje”.[131] Ky hadith transmetohet nga Darakutni, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili thotë se është i vërtetë sipas kriterit të Muslimit. Ibën Haxheri thotë se zinxhiri i tij është i vërtetë.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti nuk do t’i kërkojë llogari asnjërit prej këtij umeti për diçka të bërë gabimisht, të bërë nga harresa apo nga detyrimi”.[132] Transmeton Ibën Maxhe, Tabaraniu dhe Hakimi.

 

  • Të vjellët me qëllim

Nëse dikush vjell në mënyrë të pavullnetshme, nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë apo ta shlyejë me një veprim tjetër.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kujt i përzihet dhe vjell nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë” dhe “Kush vjell me qëllim, duhet ta plotësojë (agjërimin) më vonë”.[133] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ibën Hibani, Darakutni dhe Hakimi. Ky i fundit e konsideron hadithin të vërtetë.

Hatabi thotë se nuk njeh mendime të ndryshme mes dijetarëve rreth kësaj çështjeje. Nëse dikush vjell pa dashje, ai nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë, ndërsa ai që e bën këtë me vetëdije duhet ta plotësojë atë ditë më vonë.

 

  • Gjakderdhja e të përmuajshmeve dhe e lehonisë

Edhe nëse kjo gjakderdhje fillon pak para perëndimit të diellit, agjërimi prishet dhe ajo ditë duhet të zëvendësohet më vonë. Për këtë ka një konsensus ndërmjet dijetarëve.

 

  • Ejakulimi i spermës

Ejakulimi e prish agjërimin edhe nëse vjen si rrjedhojë e puthjes, përqafimit apo masturbimit. Për këtë shkak, dita e agjërimit duhet të zëvendësohet më vonë. Në të njëjtën mënyrë dhe ejakulimi i lëngut prostatik (medhi) nuk e prish agjërimin.

 

  • Të ngrënit e diçkaje që nuk përmban vlera ushqyese

Sipas disa dijetarëve, nëse dikush e përdor kripën për arsye të ndryshme, përveç të ngrënit dhe ajo shkon në stomak, agjërimi prishet.

Nëse dikush ka për qëllim ta prishë agjërimin duke qenë agjërueshëm, agjërimi i tij prishet dhe nëse ai nuk ha asgjë. Kjo, pasi nijeti është një nga shtyllat e agjërimit dhe nëse dikush e ndryshon qëllimin e tij, ai e ka prishur agjërimin.

 

  • Nëse dikush ha, pi ose bën marrëdhënie seksuale duke menduar se dielli ka perënduar apo se agimi nuk ka hyrë

Në raste të tilla, sipas shumicës së dijetarëve dhe katër imamëve, personi është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë. Megjithatë, lidhur me këtë pikë ka mendime të ndryshme. Is’haku, Daudi, Ibën Hazmi, Atau, Uruah, Muxhahidi dhe Hasan El Basri janë të mendimit se një agjërim i tillë është i vlefshëm dhe personi nuk është i detyruar ta zëvendësojë atë ditë më vonë. Ata e bazojnë mendimin e tyre mbi fjalën e Allahut në Kuran:

وَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ فِيمَا أَخْطَأْتُمْ بِهِ وَلَكِنْ مَا تَعَمَّدَتْ قُلُوبُكُمْ

“Nuk jeni fajtorë për gabimet që bëni pa dashur, por për atë që ka për qëllim zemra (ajo konsiderohet mëkat)(Kuran: El Ahzabë: 5).

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk do t’i kërkojë ndonjërit prej këtij umeti llogari për atë që bëhet gabimisht…” [134]

Abdurrezaku transmeton se Meamari tregon nga El Amashi se Zejd ibën Uehabi ka thënë se gjatë kohës së Umer El Hatabit njerëzit e prishën agjërimin dhe ky kishte parë një poçe me ujë që doli nga shtëpia e Hafsasë, prej së cilës ata pinë. Pas kësaj dielli doli pas reve dhe u shfaq. Njerëzit, të pikëlluar thanë se duhet ta zëvëndësonin atë ditë. Umeri u tha: “Pse kështu? Pasha Allahun, ne nuk jemi të përfshirë në asnjë faj”.[135]

Buhariu ka regjistruar se Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, ka thënë se një ditë në kohën e Profetit (a.s.) e kishin prishur agjërimin në muajin e Ramazanit, kur koha ishte me re dhe më pas ishte shfaqur dielli sërish.[136]

Duke komentuar mbi këtë temë, Ibën Tejmije thotë se kjo tregon dy gjëra:

1- Në kohën kur moti është me re nuk është e pëlqyeshme të shtyhet agjërimi, derisa personi të jetë plotësisht i sigurt që dielli ka perënduar. Në kohën e Pejgamberit (a.s.) nuk e bënin një gjë të tillë e as ai nuk i urdhëroi shokët e tij. Ata nuk e kanë bërë këtë, ndërkohë që kanë qenë më të ditur dhe më të përkushtuar se ata që kanë ardhur pas tyre.

2- Nuk është e nevojshme për ta zëvendësuar një ditë të tillë. Po të ishte e nevojshme do të kishte urdhër për zëvendësimin e asaj dite dhe kjo do të ishte bërë e njohur, siç është treguar edhe për iftarin para kohe.

Sipas shumicës së dijetarëve, marrëdhëniet seksuale gjatë ditëve të Ramazanit janë i vetmi veprim për të cilin është i detyrueshëm zëvendësimi i asaj dite dhe ndëshkimet për shlyerjen. Ebu Hurejra tregon se një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha i tronditur se ishte shkatërruar. Profeti (a.s.) e pyeti: Çfarë gjëje të ka shkatërruar?” Ai tha: “Pata marrëdhënie me gruan time gjatë ditës së Ramazanit”. Profeti e pyeti: A je në gjendje të lirosh një skllav?” Ai i tha se nuk kishte mundësi. Profeti e pyeti sërish: A ke mundësi të agjërosh dy muaj rresht?” Ai tha: Jo! Profeti e pyeti: A ke mundësi të ushqesh 60 të varfër?” Ai tha: Jo! Në fund, Profeti (a.s.) i tha: “Atëherë ulu!”. Profeti (a.s.) i ofroi një kosh me hurma i tha: “Jepe këtë për bamirësi”. Burri tha: “T’ia japim dikujt më të varfër se ne?! Askush në këtë qytet nuk është më i varfër se ne”. Profeti (a.s.) qeshi derisa iu dalluan dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqe familjen tënde me të”.[137] Transmeton “Grupi”.[138]

Shumica e dijetarëve thonë se, si burrat ashtu edhe gratë duhet të zbatojnë ndëshkimet për shlyerjen, nëse në mënyrë të vullnetshme kryejnë marrëdhënie seksuale gjatë ditës se Ramazanit,[139] gjatë së cilës duhet të agjëronin. Nëse i kryejnë marrëdhëniet si pasojë e harresës apo detyrimit, asnjëri prej tyre nuk është i detyruar të bëjë shlyerjen. Nëse gruaja është detyruar nga burri të bëjë marrëdhënie, atëherë shlyerja bëhet detyrë vetëm për burrin. Sipas Shafiut, shlyerja nuk është obligim për gruan në asnjë rast, që do të thotë se nuk ka rëndësi nëse ka ndodhur si pasojë e zgjedhjes apo e detyrimit. Ajo mjafton të zëvendësojë atë ditë më vonë.

Neveviu thotë se mendimi më i saktë në përgjithësi është se shlyerja është e detyrueshme për burrin dhe nuk ka asgjë të tillë për gruan. Asgjë nuk është e detyruar për gruan në këtë rast, pasi shlyerja ka të bëjë me një pagesë të hollash dhe kjo është detyrë e burrit dhe jo e gruas. Kjo pikëpamje është e ngjashme me rastin e pajës (mehrit).

Ebu Daudi tregon se dikush e pyeti Ahmedin rreth marrëdhënieve seksuale gjatë Ramazanit: “A ka ndonjë shlyerje të detyrueshme mbi gruan?” Ai u përgjigj se nuk kishte dëgjuar se për gruan ka shlyerje. Në librin “El Mugni” thuhet: “Kjo gjë i referohet faktit se Profeti (a.s.) i kërkoi burrit që kishte kryer marrëdhënie seksuale të lironte një skllav dhe nuk urdhëroi asgjë të ngjashme për gruan, megjithëse ai e dinte se ajo ishte njëra palë në këtë veprim”.

Sipas shumicës së dijetarëve, shlyerja duhet të ndjekë radhitjen e përmendur në hadith. Urdhëri i parë është lirimi i një skllavi. Nëse kjo nuk është e mundshme, personi duhet të agjërojë 2 muaj rresht. Nëse edhe kjo nuk është e mundshme, atëherë ai duhet të ushqejë 60 të varfër me ushqime të ngjashme me ato që konsumon përgjithësisht në shtëpinë e tij.[140] Personi nuk mund të kapërcejë një veprim për të kryer tjetrin, përjashto këtu rastin, kur ai nuk ka mundësi për ta kryer urdhërin pararendës. Sipas malikive dhe një transmetimi të Ahmedit, personit i lejohet të zgjedhë njërin prej këtyre 3 veprimeve dhe kjo do të ishte e mjaftueshme për të.

Mendimi i fundit bazohet në tregimin nga Maliku dhe Ibën Xhurejxh, të cilët transmetojnë nga Humejd ibën Abdurrahmani, i cili bën të ditur se Ebu Hurejra ka treguar se një burrë e prishi agjërimin gjatë muajit të Ramazanit dhe Profeti (a.s.) e urdhëroi që si shlyerje për këtë të lironte një rob ose të agjëronte dy muaj rresht ose të ushqente 60 të varfër.[141] Transmeton Muslimi.

Në hadithin e mësipërm fjala “ose” nënkupton zgjedhje mes alternativash, por disa thonë se arsyeja për shlyerjen ka qenë e ndryshme dhe për këtë personi mund të zgjidhte, si në rastin e shlyerjes për shklejen e premtimit.

Sheukani thotë se në transmetimet e ndryshme duket qartë se shlyerja duhet bërë sipas radhës së veprimeve ose sipas zgjedhjes së personit. Ata që thonë se kjo gjë duhet të bëhet sipas radhës së veprimeve janë më të shumtë në numër.

El Muheleb dhe Kurtubiu, duke kombinuar transmetimet, thonë që kjo ngjarje (e personit që prish agjërimin e tij) ka ndodhur më shumë se një herë.

Hafidhi ka një mendim tjetër. Ai thotë se kjo nuk është ide e saktë. Sipas tij ka qenë vetëm një rast, kështu që pika kyçe e çështjes është se nuk ka më shumë se një ngjarje.

Disa kombinojnë transmetimet dhe thonë se ndjekja e radhës është e pëlqyeshme, por personi mund të zgjedhë, ndërkohë që të tjerë thonë të kundërtën.

Sipas hanefive dhe një transmetimi të Ahmedit, kush kryen marrëdhënie seksuale në një ditë të Ramazanit dhe përpara se të kryejë shlyerjen kryen marrëdhënie seksuale në një ditë tjetër të Ramazanit, duhet të kryejë vetëm një ndëshkim me shlyerje. Kjo, pasi ka një dënim për veprat që përsëriten dhe nëse shlyerja apo dënimi nuk është përmbushur ato merren të gjitha si një e tërë.

Sipas Malikut, Shafiut dhe Ahmedit në një mendim tjetër të tij, personi në fjalë duhet ta kryejë shlyerjen dy herë, pasi secila ditë e Ramazanit është një vepër adhurimi më vete. Nëse shlyerja është e detyruar, pasi personi ka prishur agjërimin, veprimet e ndara nuk bashkohen.

Të gjithë dijetarët bien dakord se, nëse personi kryen në mënyrë të qëllimshme marrëdhënie seksuale gjatë ditës së Ramazanit dhe ka kryer shlyerjen e pastaj bën një gjë të tillë në një ditë tjetër të Ramazanit, është i detyruar ta përsërisë shlyerjen. Në të njëjtën mënyrë ata bien dakord se, nëse personi kryen dy herë marrëdhënie gjatë një dite përpara se të ketë dhënë shlyerjen për të parën herë, atëherë për të është e nevojshme të kryejë vetëm një shlyerje. Në rast se e ka bërë shlyerjen për të parën nuk është e nevojshme ta bëjë dhe për të dytën, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Ahmedi thotë se në një rast të tillë, personi në fjalë duhet të kryejë totalin e dy veprimeve shlyese.

 

Plotësimi i ditëve të lëna mangut nga muaji i Ramazanit

 

Plotësimi i ditëve të lëna mangut nga Ramazani është një obligim që nuk është i nevojshëm të kryhet menjëherë, pasi koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë. E njëjta gjë ndodh dhe me agjërimin shlyerës.

Transmetohet në mënyrë autentike se Aishja (r.a.) i plotësonte ditët e lëna mangut në muajin Shaban[142], dhe këtë nuk e bënte menjëherë, edhe nëse kishte mundësi.[143]

Kryerja e agjërimit të Ramazanit dhe plotësimi i ditëve janë të njëjta. Pra, nëse një ditë nga Ramazani është e paplotësuar, duhet të agjërohet vetëm një ditë për ta plotësuar atë dhe nuk ka dënim shtesë.

Agjërimi kompensues (kaza) ndryshon nga ai i rregullt. Në rastin e parë, nëse dikush plotëson ditët e lëna mangut, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë duke agjëruar rresht. Kjo vjen, pasi Allahu thotë në Kuran: “Ai që është i sëmurë apo në udhëtim (ka detyrë të agjërojë) aq ditë nga ditët e mëvonshme”. Kjo do të thotë se kushdo që është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin, duhet të agjërojë të njëjtin numër ditësh rresht ose jo. Allahu e ka urdhëruar agjërimin në një mënyrë të përgjithshme, pa e kushtëzuar (mënyrën se si do të agjërohet).

Për sa i përket plotësimit të ditëve nga muaji i Ramazanit, Darakutni transmeton nga Ibën Umeri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse do, i plotëson duke agjëruar në ditë të ndara e nëse do i plotëson duke agjëruar rresht”.[144]

Nëse dikush e vonon plotësimin e ditëve të lëna mangut deri në Ramazanin tjetër, ai duhet të agjërojë atë Ramazan dhe pastaj të plotësojë ditët e lëna mangut. Nuk duhet kryer ndonjë shlyerje, pavarësisht nëse vonesa ka qenë me arsye apo jo. Ky është mendimi i hanefive dhe Hasen El Basriut.

Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku bien dakord se nuk duhet kryer asnjë shlyerje për një vonesë me arsye, por ata kanë mendime të ndryshme për vonesën pa arsye. Në një rast të tillë, sipas tyre personi duhet të agjërojë Ramazanin dhe pastaj të zëvendësojë ditët nga Ramazani i mëparshëm, duke e shoqëruar me një shlyerje të një mudd (ushqim që jepet si bamirësi çdo ditë). Megjithatë, vihet re se ata nuk kanë prova bindëse për këtë.

Me sa duket, mendimi i saktë është ai i hanefive, pasi nuk ka ligjshmëri pa një tekst autentik (siç janë ajetet kuranore dhe hadithet).

 

Ai që vdes dhe ka lënë pa plotësuar disa ditë të Ramazanit

Dijetarët janë të një mendimi se, nëse një person vdes dhe ka lënë mangut disa namaze gjatë jetës së tij, trashgimtarët e tij apo ai që ka kujdestarinë e tij nuk i falin ato namaze për të. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush nuk ka mundësinë për të agjëruar, askush nuk agjëron për të, që t’i zëvendësojë ato ditë ndërkohë që ai është gjallë. Ka një diversitet mendimesh, përsa i përket atij që vdes pa plotësuar ditët e lëna mangut, megjithëse e ka pasur mundësinë për ta bërë këtë.

Shumica e dijetarëve, përfshi këtu Ebu Hanifen, Malikun dhe Shafiun, thonë se trashëgimtari apo ai që ka kujdestarinë e një personi të tillë nuk ka përgjegjësi për të agjëruar për të, por duhet të ushqejë një të varfër për çdo ditë agjërimi të lënë mangut. Megjithatë, mendimi i zgjedhur midis shafive është se është e pëlqyeshme për atë që ka kujdestarinë e personit të vdekur të agjërojë për të këto ditë duke përmbushur detyrimin e tij. Në këtë rast nuk është i nevojshëm ushqimi i dikujt tjetër.

Kujdestari është i afërmi i ngushtë i një trashgimtari a dikush tjetër. Nëse dikush që nuk është i afërm me të vdekurin dhe agjëron për të, kjo nuk do të ishte e vlefshme pa lejen e personit kujdestar për të vdekurin.

Fakt për këtë është transmetimi i Ahmedit, Buhariut dhe Muslimit, të cilët transmetojnë nga Aishja (r.a.) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse dikush vdes dhe ka lënë disa ditë mangut për të agjëruar, atëherë personi të cilit i përket kujdestaria duhet të agjërojë për të”.[145]

Sipas versionit të Bezarit, në fund të këtij hadithi kemi frazën “…nëse ai dëshiron”.[146] Senedi i këtij është Hasen.

Ndërsa Ibën Abasi transmeton se një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “Nëna ime vdiq dhe kishte një muaj agjërimi pa plotësuar. A duhet të agjëroj unë për të?” Profeti (a.s.) e pyeti: “Nëse nëna jote do të kishte një borxh, a do ta shlyeje për të?” Ai iu përgjigj: “Po”. Atëherë, Profeti (a.s.) i tha: “Borxhi ndaj Allahut ka më shumë prioritet për t’u shlyer”.[147] Transmeton Ahmedi dhe autorët e Suneneve.

Neveviu thotë: “Kjo thënie është më e sakta dhe ne e pasojmë atë. Ky është mendimi që është përcaktuar si i saktë nga shokët tanë si në fik’h edhe në hadith”.

 

Vendet ku dita është shumë e gjatë dhe nata shumë e shkurtër

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth asaj që duhet të bëjnë muslimanët që jetojnë në vende, ku dita është shumë e gjatë dhe nata shumë e shkurtër. Po ashtu edhe në vendet ku dita është shumë e shkurtër dhe nata është shumë e gjatë. Ata janë në dilemë se çfarë orari duhet të ndjekin. Për këtë, disa thonë se ata duhet të ndjekin normat e vendeve, ku u zbatua legjislacioni islam që janë Meka dhe Medina. Të tjerë thonë se ata duhet të ndjekin orarin e vendit më afër tyre që ka kohëzgjatje normale të ditës dhe natës.


 

Nata e Kadrit

 

Vlera e saj

Nata e Kadrit është nata më me vlerë e vitit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ(وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ)لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ

 “Ne e zbritëm atë (Kuranin) natën e Kadrit. E kush të njoftoi ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj”.

Çdo vepër në këtë natë (leximi i Kuranit, përkujtimi i Allahut etj.) është më e vlefshme se kryerja e të njëjtës punë për një mijë muaj, në të cilët nuk është nata e Kadrit.

 

Është e pëlqyeshme të kërkuarit e kësaj nate

Pëlqehet që të kërkohet kjo natë gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, pasi Profeti (a.s.) përpiqej shumë për këtë gjatë kësaj kohe. Më sipër kemi përmendur se Profeti (a.s.) qëndronte zgjuar gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, zgjonte gratë e tij dhe më pas qëndronte mënjanë duke bërë adhurim dhe duke u larguar nga marrëdhëniet bashkëshortore gjatë kësaj periudhe.

 

Cila natë është ajo?

Dijetarët kanë mendime të ndryshme se cila është nata e Kadrit. Disa thonë se ajo është në natën e 21, disa thonë se është në natën e 23, të tjerë thonë se është nata e 25 e disa të tjerë thonë se ajo është në natën e 29. Disa thonë se ajo ndryshon nga viti në vit, por gjithmonë është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Megjithatë, shumica e dijetarëve thonë se nata e Kadrit është nata e 27.

Ahmedi përcjell nga Ibën Umeri me një zinxhir të vërtetë transmetimi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron ta kërkojë atë natë, le ta bëjë në natën e 27“.[148]

Ubej ibën Keab ka thënë: “Pasha Allahun që nuk ka zot tjetër përveç Tij, është gjatë Ramazanit”. Ai u betua për këtë dhe tha se e dinte cila natë ishte. Ai tha se ishte nata, gjatë së cilës Profeti i kishte urdhëruar të faleshin, nata e 27. Shenja e saj është dielli që lind në mëngjes, i bardhë dhe pa rreze.[149] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e cilëson hadithin të vërtetë.

Falja e namazit dhe lutjet në natën e Kadrit

Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që falet në natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim, do t’i falen të gjitha gjynahet e tij të mëparshme”.[150]

Përsa i përket lutjes në natën e Kadrit, Aishja (r.a.) ka thënë se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e di se cila është nata e Kadrit, çfarë duhet të them gjatë saj? Profeti (a.s.) ka thënë: “Thuaj: O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen. Më fal mua!” [151] Transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmdhiu, i cili e kosideron këtë hadith të vërtetë.

 


[1] Buhariu 1904, Muslimi 2700, Nesai 2216, Ahmedi 2/273.

[2] Buhariu 1894, Muslimi 2699 shkurt, Ebu Daudi 2363 shkurt, Nesai 2217, Ibën Maxheh 1691, Ahmedi 2/245, 257, 273, 6/224. Bejhakiu 4/304.

[3] Hadith Hasen. “El Mishkat” 1963, “Tamamul Mineh” 394, “Et Targib” 984. Transmetimi i Ahmedit 2/174 është i dobët, por hadithi ka ardhur me rrugë të tjera. Atë e ka nxjerrë gjithashtu Taberani në “El Kebir”, el Hakim 1/554, Ibën Ebi Dunja.

[4] Hadith Sahih. “Et Targib” 986. E ka nxjerrë Nesai 2221, 2222, 2223, Ahmedi 5/249, 264, el Hakim 1/421.

[5] Buhariu 2840, Muslimi 2704, Tirmidhiu 1623, Nesai 2247, 2248, 2249, 2250, 2251, 2252, Ibën Maxheh 1717, Darimi 2/203, Ahmedi 3/26, 59, 83.

[6] Buhariu 1896, Muslimi 2703, Ahmedi 5/333, Bejhakiu 4/305.

[7] Buhariu 8, Muslimi 113, 114, Nesai 5034, Tirmidhiu 2614.

[8] Buhariu 46, 1891, 2678, 6956, Muslimi 100, Ebu Daudi 391,392, Nesai 457, 2090, Maliku 1/175, Shafiu në “Er Risale” 344.

[9] Sahih Ligajrihi – i saktë për shkak të haditheve të tjera me të njëjtin kuptim, të nxjerrë nga Buhariu dhe Muslimi. “Tamamul Mineh” 395, “El Mishkat” 1962, “Et Targib” 999. E ka nxjerrë Nesai 2106, Ahmedi 2/230, 385, 425, Bejhakiu 4/303 me kuptim të njëjtë.

[10] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Nesai 2107, 2108, Bejhakiu 4/303, Ahmedi 4/311, 312, 5/411.

[11] Muslimi 551, Ahmedi 2/400.

[12] Hadith Daif. “Ed Daife” 5083, “Tamamul Mineh” 395. E ka nxjerrë Ahmedi 3/55, Bejhakiu 4/304.

[13] Buhariu 37, 2009, Muslimi 1776, 1778, Ebu Daudi 1372, Nesai 2203-2205, Tirmidhiu 683, Ibën Maxheh 1326.

[14] Megjithëse Mundhiri dhe Hejthemi thonë që zinxhiri i këtij hadithi është i pranueshëm (hasen), ai është i dobët. Shejh Albani e ka diskutuar këtë hadith në detaje në librin “Silsiletu El Ehadith Ed Daife” Nr. 84. E ngjashme me këtë është dhe thënia e Ibën Abasit. Në fakt në librin “Kitab El Kebair”, Dhehebiu e ka regjistruar atë vetëm si një thënie të Ibën Abasit dhe jo si një thënie të Profetit (a.s.). Nxjerrja e tij është përmendur në kapitullin e Namazit.

[15] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 396, “El Mishkat” 2013, “Et Targib” 605, “Daiful Xhami” 5462. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2396, Tirmidhiu 723, Ibën Maxheh 1672, Darimi 2/10, Ahmedi 2/458, 470.

[16] E ka përmendur Buhariu mualak me shprehje që tregon dobësinë e tij, në “Kapitullin e Agjërimit”, tema “Nëse kryen marrëdhënie intime në Ramazan”.

[17] Megjithëse ky hadith është transmetuar nga Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe, Ibën Huzejme dhe të tjerë, ai është i dobët, siç e përmend Shejh Albani në librin e tij “Tehrixh Mishkat El Mesabih”. Tirmidhiu thotë se e njeh hadithin e Ebu Hurejres vetëm nëpërmjet këtij zinxhiri.

[18] Hadith Sahih. “El Irva” 908. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2242, Darimi 2/4, el Hakim 1/423, Ibën Hibani 871, Darakutni 227, Bejhakiu 4/212.

[19] Buhariu 1909, Muslimi 2512, Nesai 2117, 2118, Tirmidhiu 684, Ibën Maxheh 1655, Ahmedi 4/23, 5/42.

[20] U përmend më sipër.

[21] Muslimi 2523, Ebu Daudi 2332, Tirmidhiu 693, Nesai 2111.

[22] Ky është një fakt që përkon me realitetin.

[23] Buhariu 1916, 4509, Muslimi 2528, Ebu Daudi 2349, Tirmidhiu 2970, 2971, Nesai 2169.

[24] Hadith Sahih. “Sahihu Ebi Daud” 2118, “El Irva” 4/26. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2454, Nesai 2336, 2337, Tirmidhiu 730, Ibën Maxheh 1700, Maliku 1/288, Darimi 2/6.

[25] Muslimi 2707, Ebu Daudi 2455, Nesai 2327, Tirmidhiu 733, Ahmedi 6/207.

[26] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[27] Buhariu 1960, Muslimi 2664, 2665.

[28] Hadith Sahih. “El Irva” 4/18 (912). E ka nxjerrë Darakutni 2/205, el Hakim 1/440, Bejhakiu 4/230, Taberiu 2752, 2753, Ibën Xharudi 381, Ebu Daudi 2318.

[29] Sipas Malikut dhe Ibën Hazmit, nuk është detyrim për këtë grup social as kryerja kaza e agjërimit, as ushqimi i të varfërve.

[30] Buhariu 4505, Ebu Daudi 2317, 2318, Bejhakiu 4/230, Darakutni 2/205, el Hakim 1/440.

[31] Kjo mund të përcaktohet me anë të përvojës personale, konsultimit me një mjek specialist apo kur ka shumë gjasa që të ndikojë negativisht në jetën e foshnjes dhe të nënës.

[32] Hadith Sahih. “El Irva” 912, 913. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2318, Bejhakiu 4/230, etj.

[33] Ether Sahih. “El Irva” 4/19. E ka nxjerrë Darakutni f.250.

[34] Një “mud”  zë vëllimin e ¼ së një ene të caktuar (tasi) me grurë.

[35] Hadith Sahih. “El Irva” 4/22. E ka nxjerrë Maliku 1/308, Shafiu 1/266, Bejhakiu 4/230.

[36] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2025, “Sahihul Xhami” 1835. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2408, Nesai 2275, Tirmidhiu 715, Ibën Maxheh 1667, Ahmedi 4/347, 5/29.

[37] Hadith Sahih. “El Irva” 4/21. E ka nxjerrë Ebu Daudi 507, Ibën Xherir et Taberi 2733, el Hakim 2/774, Bejhakiu 4/200, Ahmedi 5/246, 247.

[38] Kjo mund të përcaktohet me anë të eksperiencës ose duke u konsultuar me një mjek të besueshëm ose nëse ka prova të mjaftueshme që tregojnë se personi do të sëmuret.

[39] Muslimi 2624, Ebu Daudi 2403, Nesai 2303, Bejhakiu 4/243.

[40] Muslimi 2619, Ebu Daudi 2406, Ahmedi 3/35.

[41] Muslimi 2613, Tirmidhiu 713, Nesai 2308, Ahmedi 3/12, Bejhakiu 4/245.

[42] Ndodhet përballë Asfanit.

[43] Muslimi 2605, Tirmidhiu 710, Nesai 2263, Bejhakiu 4/246.

[44] Hadith Sahih. “Tas’hih hadith iftaris saimi kable seferihi” 13-28. E ka nxjerrë Tirmidhiu 799, Bejhakiu 4/246.

[45] Egjipti i vjetër.

[46] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400, “El Irva” 928. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2412, Bejhakiu 4/246, Ahmedi 6/398.

[47] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400-401. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2413, Bejhakiu 4/241.

[48] Buhariu 321, Muslimi 761, Ebu Daudi 262,263, Tirmidhiu 130, Nesai 380, 2317, Ibën Maxheh 631.

[49] Buhariu 1990, 5571, Muslimi 2666, 5070, Ebu Daudi 2416, Tirmidhiu 771, Ibën Maxheh 1722, Ahmedi 1/24. “El Irva” 962.

[50] Ahmedi 5/75, 76, 224.

[51] Hadith Daif me shtesën në fund. “Tamamul Mineh” 402-403.

[52] Sipas Ebu Hanifes dhe Malikut nuk është e papëlqyeshme, por faktet e paraqitura kundërshtojnë mendimin e tyre në këtë çështje.

[53] Buhariu 1986, Ebu Daudi 2422, Ahmedi 2/189, 6/324.

[54] Hadith munker – i panjohur me këtë rrugë transmetimi. “El Irva” 4/116-117. E ka nxjerrë Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 216, el Hakim 1/437, Ahmedi 2/303, 532.

[55] Buhariu , Muslimi 2678, Ebu daudi 262, 263, Tirmidhiu 130, Nesai 382, Ibën Maxheh 631.

[56] Muslimi 2679.

[57] Hadith Sahih. “El Irva” 960, “Tamamul Mineh” 406. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2421, Tirmidhiu 744, Ibën Maxheh 1726, Darimi 2/19, Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 2164, el Hakim 1/435, Bejhakiu 4/302, Ahmedi 6/368.

[58] Hadith Daif. “Ed Daife” 1099. E ka nxjerrë Ahmedi 6/324, Ibën Huzejme 2167, Ibën Hibani 941, el Hakim 1/436, Bejhakiu 4/303.

[59] Për shembull, kjo ndodh kur njerëzit janë në dyshim nëse është dita e fundit e shabanit apo dita e parë e ramazanit, që do të thotë se ata nuk e kanë parë hënën, por agjërojnë për të qenë më të sigurt.

[60] Hadith Sahih. “El Irva” 961. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2334, Tirmidhiu 686, Nesai 2188, Ibën Maxheh 1645, Ibën Huzejme 2168, Darimi 2/2, Tahaviu 1/356, Datakutni 227, el Hakim 1/424, Bejhakiu 4/208.

[61] Buhariu 1914, Muslimi 2514, Ebu Daudi 2335, Nesai 2172, Tirmidhiu 738, Ibën Maxheh 1650, Ahmedi 2/234, 347, 408, 477, 497, Darimi 2/4.

[62] Buhariu 1977, 1979, 3419, Muslimi 2726, 2727, Tirmidhiu 768, Nesai 2378, Ibën Maxheh 1706, Ahmedi 2/164, 189, 190, 199, 212, 6/455.

[63] Është përmendur më parë me shprehje tjetër, ku nuk përmendet agjërimi i vazhdueshëm, por vetëm agjërimi në udhëtim. Teksti i këtij hadithi është: Esmaja tregon se Hamza ibën Amër El Eslemi ishte shumë i dhënë pas agjërimit dhe njëherë e pyeti Profetin (a.s.), nëse mund të agjëronte gjatë udhëtimit. Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

[64] Buhariu 2066, 5360, Muslimi 2367, Ebu Daudi 2458, Tirmidhiu 782, Ibën Maxheh 1761, Darimi 2/12, Ahmedi 2/316, 444, 476, 500.

[65] Buhariu 1966, Muslimi 2562, Maliku 1/301, Darimi 2/7,8, Ahmedi 2/231, 237, 244, 315, 345, 418.

[66] Buhariu 1963, Ebu Daudi 2361, Darimi 2/21, Ahmedi 3/8.

[67] Muslimi 2750, Ebu Daudi 2433, Tirmidhiu  759, Ibën Maxheh 1716.

[68] Ky hadith vlen për dikë që e plotëson agjërimin e Ramazanit vit për vit, ngase çdo mirësi shpërblehet dhjetëfish dhe një muaj agjërim shpërblehet me dhjetë muaj, ndërsa gjashtë ditë të Sheëalit shpërblehen me dy muaj, kështu që kompletohet i tërë viti.

[69] Muslimi 2738, Ebu Daudi 2425, Nesai 2382, Tirmidhiu 749, Ibën Maxheh 1713, 1730, 1738, Ahmedi 5/296, 297, 304.

[70] Hadith Daif. “El Irva” 954. E ka nxjerrë Nesai 2416, Ahmedi 6/287.

[71] Hadith Sahih. “El Irva” 4/130-131. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2419, Tirmidhiu 773, Nesai 3004, Ibën Ebi Shejbe 2/183, Darimi 2/23, Tahaviu 1/335, Ibën Hibani 958, el Hakim 1/434, Bejhakiu 4/298, Ahmedi 4/152.

[72] Hadith Daif. “Ed Daife” 404. E ka nxjerrë Buhariu në librin “Et Tarih el Kebir” 7/425, Ebu Daudi 2440, Ibën Maxheh 1732, Tahaviu 4/112, el Hakim 1/434, Bejhakiu 4/284.

[73] Buhariu 1661, 1988, 5604, Muslimi 2627, Ebu Daudi 2441, Tirmidhiu 750, Ahmedi 1/217, 278, 344, 6/338-340.

[74] Muslimi 2747, 2748, Ebu Daudi 2429, Tirmidhiu 740, Nesai 1612,1613, Ibën Maxheh 1742, Darimi 2/21, Ahmedi 2/303, 342, 344, 535.

[75] Buhariu 2003, Muslimi 2648, Maliku 1/299, Ahmedi 4/95.

[76] Buhariu 1893, Muslimi 2632, Ebu Daudi 2442, Tirmidhiu 753, Darimi 2/22, Maliku 1/299, Ahmedi 2/57, 143, 6/162.

[77] Buhariu 2004, Muslimi 2651, 2652, Ibën Maxheh 1734.

[78] Buhariu 2005, 3942, Muslimi 2655.

[79] Muslimi 2661, Ebu Daudi 2445.

[80] Muslimi 2662, Ibën Maxheh 1736, Ahmedi 1/224, 225, 345.

[81] Hadith Meudu – i trilluar. “Tamamul Mineh” 410-411.

[82] Buhariu 1969, Muslimi 2714, Ebu Daudi 2434, Nesai 2350, Maliku 1/309.

[83] Hadith Hasen. “El Irva” 4/103. E ka nxjerrë Nesai 2357, Ahmedi 5/201, Ibën Huzejme 3/304-305 me kuptim të përafërt.

[84] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 413, “Daifu Ebi Daud” 419. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2428, Ibën Maxheh 1741.

[85] Hadith Sahih. “El Irva” 4/104, “Et Targib” 1042. E ka nxjerrë Ahmedi 2/329, Ed Darimi 2/20, Ibën Maxheh 1740 me shprehje të përafërt.

[86] Muslimi 2742, Ahmedi 5/297, 299.

[87] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1567, “Sahihul Xhami” 673. E ka nxjerrë Nesai 2422, 2423, Ibën Hibani 943, Bejhakiu 4/294, Ahmedi 5/152, 177

[88] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 414, “El Mishkat” 2059. E ka nxjerrë Tirmidhiu 746, Ahmedi 1/406.

[89] Diçka e tillë nuk gjendet në librat e sunetit. “Tamamul Mineh” 415.

[90] Buhariu 1974, 1975, 6134, Muslimi 2722, Nesai 2390, Ahmedi 2/195, 197, 198, 200, 225.

[91] Buhariu 1131, 3420, Muslimi 2731, Ebu Daudi 2448, Nesai 1629, 2343, Ibën Maxheh 1712, Ahmedi 2/160.

[92] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 3854. E ka nxjerrë Darakutni 2/173, 174, Bejhakiu 4/276, 277, Ahmedi 6/343, el Hakim 1/439.

[93] Buhariu 1968, Tirmidhiu 2413.

[94] Hadith Hasen. “El Irva” 1952. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/279, Taberani në “El Eusat” 1/132.

[95] Buhariu 708, Muslimi 2544, Nesai 2146, Tirmidhiu 708, , Ibën Maxheh 1692, Darimi 2/6, Ahmedi 3/99,215, 229, 243, 258, 281, Bejhakiu 4/236.

[96] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 4081. E ka nxjerrë Nesai 2164.

[97] Hadith Hasen. ”Sahihul Xhami” 3683, “Et Targib” 1070. E ka nxjerrë Ahmedi 3/12, 44, 5/370.

[98] Buhariu 575, 1921, Muslimi 2547, Tirmidhiu 703, Nesai 2154, 2155, Ibën Maxheh 1694.

[99] Bejhakiu 4/238.

[100] Hadith Daif, munker –i panjohur me këtë plotësim. “El Irva” 917. E ka nxjerrë Ahmedi 5/146, 172.

[101] Kuran: El Bekare 187. Përsa i përket ajetit kuranor: “… derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi”, do të thotë sa të dalloni bardhësinë e agimit nga errësira e natës.

[102] Buhariu 1957, Muslimi 2549, Tirmidhiu 699, Ibën Maxheh 1697, Darimi 2/7, Maliku 1/288, Bejhakiu 4/237, Ahmedi 5/331, 334, 336, 337, 339.

[103] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 2840, “El Irva” 922. E ka nxjerrë Ahmedi 3/164, Ebu Daudi 2356, Darakutni 240, el Hakim 1/432, Bejhakiu 4/239.

[104] Hadith Daif. “El Irva” 4/49-51. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2355, Tirmidhiu 695, Ibën Maxheh 1699, Darimi 2/7, el Hakim 1/432, Bejhakiu 4/238, Ahmedi 4/17, 19, 213-215.

[105] Buhariu 672, Muslimi 1241, 1242, Ahmedi 2/148 me të njëjtin kuptim.

[106] Hadith Daif. “El Irva” 921. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1753, Ibën Sini 475, el Hakim 1/422, Ibën Asakir 2/287.

[107] Hadith Hasen. “El Irva” 920, “El Mishkat” 1993. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2357, Ibën Sini 472, Darakutni 240, el Hakim 1/422.

[108] Hadith Daif. “El Irva” 919. E ka nxjerrë Abdullah ibën Mubarek në “Ez Zuhd” 221/2, Ebu Daudi 2358, Bejhakiu 4/239, Ibën Ebi Shejbe 2/181, Ibën Sini 473.

[109] Hadith Daif. “Ed Daife” 1358. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3598, Ibën Maxheh 1752, Ibën Huzejme 1901, Ibën Hibani 2407, 2408, Ahmedi 2/304-305, 445, 477.

[110] Hadith Sahih. “Et Targib” 1082. E ka nxjerrë el Hakim 1/340, 341, Ibën Hibani 3470, Ibën Huzejme 1996.

[111] Nuk ka nevojë Allahu për këtë lloj agjërimi, prandaj nuk e pranon këtë  agjërim.

[112] Buhariu 1903, Ebu Daudi 2362, Tirmidhiu 707, Ibën Maxheh 1689, Ahmedi 2/452, 505.

[113] Hadith Hasen Sahih. “Et Targib” 1083, “El Mishkat” 2014, “Sahihul Xhami” 3488. E ka nxjerrë el Hakim 1/431, Ibën Maxheh 1690, Darimi 2/301, Ahmedi 2/441.

[114] Hadith Daif. “El Irva” 68. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2364, Tirmidhiu 725, Darakutni 248, Bejhakiu 4/272, Tajalisi 1/187, Ahmedi 3/445, 446.

[115] “…më bujar se një erë e shpejtë…” ka kuptimin e rendjes dhe shpejtësisë për bujari.

[116] Buhariu 5, 1902, 3220, 3554, 4997, Muslimi 5964, Nesai 2095, Ahmedi 1/288, 363.

[117] Buhariu 2024, Muslimi 2779, Ebu Daudi 1376, Nesai 1639, Ibën Maxheh 1768, Ahmedi 6/40, 41, 66-68, 146.

[118] Muslimi 2780, Tirmidhiu 796, Ibën Maxheh 1767, Ahmedi 6/82, 123, 256.

[119] Hadith Sahih. Tirmidhiu 795, Ibën Maxheh 1768, Ahmedi 1/98, 128, 133, 137.

[120] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2011. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2365, Maliku 1/294, Ahmedi 3/475, 4/63, 5/376, 380, 408, 430.

[121] Buhariu 1930, Muslimi 2585, Ahmedi 6/34, 36, 38, Darimi 2/13.

[122] Transmetim Hasen meukuf (vepër e sahabiut). Ebu Daudi 2378.

[123] Buhariu 1927, Muslimi 2571, 2572, 2573, Tirmidhiu 728, 729, Ibën Maxheh 1687, Ahmedi 6/40, 42, 44, 126, 128, 156.

[124] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2385, Darimi 2/13, el Hakim 1/431, Ibën Hibani 4/287, Ahmedi 1/21.

[125] Buhariu 5694, Ebu Daudi 2372, 2373, 2375, Tirmidhiu 775, 776, 777, Ibën Maxheh 1682, Maliku 1/298.

[126] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2366, Tirmidhiu 788, Nesai 87, Ibën Maxheh 407, Ahmedi 4/33, 211.

[127] Buhariu 1904, Muslimi 2699, 2700, Ebu Daudi 2363, Nesai 2217, Ibën Maxheh 1639.

[128] Hadithi është Sahih pa shtesën “Ju duhet ta ndaloni …”. Kështu e ka nxjerrë Buhariu 3281, Ebu Daudi 2470, Ibën Maxheh 1779, Darimi 2/320, Ahmedi 3/285, 309, 6/337. Ndërsa shtesa e përmendur nuk ka bazë në librat e Sunetit. Shih “Ed Daife” 3/75, nën hadithin nr. 1014.

[129] Buhariu 622, 623, Muslimi 2533 nga Ibën Umeri, Ahmedi 2/9, 57, 123, 6/44, 54, 433.

[130] Buhariu 1933, Muslimi 2709, Tirmidhiu 721, Ibën Maxheh 1673, Ahmedi 2/395, Ibën Huzejme 1989.

[131] Transmetim Hasen. “El Irva” 4/87. E ka nxjerrë Ibën Hibani 906, el Hakim 1/430, Darakutni 237, Bejhakiu 4/229.

[132] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[133] Hadith Sahih. “El Irva” 923, 930. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2380, Tirmidhiu 720, Darimi 2/14, Tahaviu 1/348, Ibën Huzejme 1960, Ibën Hibani 907, Darakutni 240, el Hakim 1/327, Bejhakiu 4/219.

[134] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[135] Abdurrazaku në “Musanef” 4/179, Bejhakiu 4/217.

[136] Buhariu 1959, Ebu Daudi 2359, Ibën Maxheh 1674, Maliku 1/303, Ahmedi 6/346.

[137] Buhariu 1936, 1937, 2600, 5368, 6087, 6164, 6821, Muslimi 2590, Ebu Daudi 2390, 2391,2392, Tirmidhiu 724, Ibën Maxheh 1671.

[138] Ky hadith shërben si argument për ata që e shohin zhvlerësimin e shlyerjes së gabimit, në rastin e një gjendjeje vështirësie dhe pamundësie. Ky është një prej dy mendimeve të Shafiut, mendimi më i njohur prej medh’hebit hanbeli, si dhe i disa dijetarëve maliki, porse mendimi i shumicës është që shlyerja e gabimit nuk rrëzohet në kësi rasti.

[139] Nëse ata kanë kryer marrëdhënie seksuale gjatë agjërimit të një dite për të plotësuar ditët e lëna mangut nga Ramazani ose ditët për shkak të ndonjë premtimi, në këtë rast shlyerja nuk është e detyrueshme.

[140] Ahmedi është i mendimit që çdo të varfëri i jepet një Mud (masë matëse) grurë, ose një gjysëm Sa’ë (njësi matëse) me hurma ose elb. Ebu Hanifja thotë që i jepet një gjysëm Sa’ë me grurë ose një Sa’ë me llojet e tjera. Shafiu dhe Maliku janë të mendimit që të ushqejë çdo të varfër me një Mud, prej çfarëdo lloji nga ushqimet e sipërmpërmendurat. Ky është mendimi i Ebu Hurejres, Atait dhe Euzait, pasi duket si më pranë të saktës, sepse koshi me hurma që iu dha burrit nxinte 12 Sa’ë.

[141] Muslimi 2594.

[142] Buhariu 1950, Muslimi 2682, Ebu Daudi 2399, Nesai 2318, Ibën Maxheh 1669.

[143] Nuk ka argument për këtë, madje në hadith thuhet e kundërta, që ajo nuk mund t’i kompensonte ditët e lëna veçse në Shaban. “Tamamul Mineh” 421.

[144] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 423, “El Irva” 943. E ka nxjerrë Darakutni f.244.

[145] Buhariu 1952, Muslimi 2687, Ebu Daudi 2400, Ahmedi 6/69.

[146] Shtesë Daife Munkera – e dobët dhe e huaj, e refuzuar. “Tamamul Mineh” 427.

[147] Buhariu 1953, Muslimi 2688, 2689, Ebu Daudi 3310, Tirmidhiu 716, Ibën Maxheh 1758, Ahmedi 1/227, 258.

[148] Transmetim Sahih. “Sahihul Xhami” 2920. E ka nxjerrë Ahmedi 2/27, 157.

[149] Muslimi 1782, 2769, Ebu Daudi 1378, Tirmidhiu 793, Ahmedi 5/130, 131.

[150] Buhariu 1901, Muslimi 1778, Nesai 2202, Ebu Daudi 1372, Tirmidhiu 683, Ahmedi 2/318, 321, 408, 423, 473, 503.

[151] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 3337, “El Mishkat” 2091, “Et Targib” 3391, “Sahihul Xhami” 4423. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3514, Ibën Maxheh 3850, el Hakim, Ahmedi 6/171, 182, 183, 258.