Kapitulli i Zekatit

 


Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


Ligjshmëria e Zekatit

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَى تِجَارَةٍ تُنجِيكُمْ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ)تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتُجَاهِدُونَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ بِأَمْوَالِكُمْ وَأَنفُسِكُمْ ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنتُمْ تَعْلَمُونَ

(O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm: T’i besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini). (Es-Saf, 10-11)

وَاذْكُرْ فِي الْكِتَابِ إِسْمَاعِيلَ إِنَّهُ كَانَ صَادِقَ الْوَعْدِ وَكَانَ رَسُولاً نَبِيًّا(وَكَانَ يَأْمُرُ أَهْلَهُ بِالصَّلاَةِ وَالزَّكَاةِ وَكَانَ عِنْدَ رَبِّهِ مَرْضِيًّا

(Përkujtoju në këtë libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtimin (premtoi të bëhej kurban) dhe i dërguar, pejgamber. Ai urdhëronte familjen e vet në faljen e namazit e në dhënien e zekatit dhe ishte shumë i pranishëm tek Zoti i tij). (Merjem, 54-55)

وَإِذْ أَخَذْنَا مِيثَاقَ بَنِي إِسْرَائِيلَ لاَ تَعْبُدُونَ إِلاَّ اللَّهَ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا وَذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْنًا وَأَقِيمُوا الصَّلاَةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ ثُمَّ تَوَلَّيْتُمْ إِلاً قَلِيلاً مِنْكُمْ وَأَنْتُمْ مُعْرِضُونَ

((Përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e bijve të Izraelit; mos adhuroni tjetërkënd përveç Allahut, të silleni mirë me prindërit, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve dhe njerëzve u thoni fjalë të mira; falni namazin dhe jepni zekatin, e pastaj ju e thyet zotimin përveç një pakice prej jush dhe ja kthyet shpinën zotimit). (El-Bekare, 83)

قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّهِ آتَانِي الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ وَأَوْصَانِي بِالصَّلاَةِ وَالزَّكَاةِ مَا دُمْتُ حَيًّا

(Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka thënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) dhe zekat për sa kohë jam gjallë). (Merjem, 30-33)

 

Mbi zekatin dhe sadakanë

Në gjithë këtë libër fjalët sadaka janë përdorur në mënyrë të ndërthurur, gjë që mund të ngatërrojë disi lexuesit. Arsyeja për një gjë të tillë është e qartë: nëse fjalët sadaka dhe zekat janë të njëjta, atëherë përse të mos përqëndrohemi te njëra prej tyre. Nga ana tjetër, nëse këto dy fjalë ndryshojnë në kuptim, atëherë përse të mos përdorim sipas tekstit përdorimet e tyre të sakta?

Për këtë arsye është shpjegimi i mëposhtëm.

Nga ana gjuhësore fjala sadaka rrjedh nga rrënja “sidk” ose “sadk” që do të thotë “të flasësh të vërtetën”, “të jesh i sinqertë”.

Gjithashtu, mund të përkthehet “çiltërsi” apo “efikasitet”. Përdorimi leksikor kuranor e ka shndërruar këtë rrënjë foljore në “sadaka”, një term i përdorur për konceptin e dhuratës së ofruar dikujt nga ai që e zotëronte me të drejtë, pa rezerva ose pendim dhe pa arsye të tjera, e thënë shkurt për kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye ajo përmban katër elemente thelbësore: ligjshmërinë e pronës së dikujt, sinqeritetin e qëllimit, arsyet altruiste dhe kushtin që të jetë vetëm për hir të Zotit.

Në pamje të parë sinqeriteti i qëllimit, altruizmi dhe kërkimi i kënaqësisë së Zotit mund të shkaktojë një rast teprimi, megjithatë të tre elementët janë të varur nga njëri-tjetri. Për shembull, dikush mund të jetë i sinqertë kur ndihmon të tjerët dhe gjithashtu mund të jetë i motivuar nga altruizmi. Megjithatë, këto dy elemente nuk mund t’i japin karakterin e sadakasë këtij veprimi sepse mungon njëri prej tyre, që është qëllimi vetëm për hir të Zotit. Ndodh kështu pasi sadakaja nuk është një koncept i veçantë për Islamin. Megjithëse është e futur në eskatologjinë e Islamit, e cila në mënyrë paradoksale përfshin dhe interesat e kësaj bote. Jo rastësisht Kurani i referohet dhënies së sadakasë si një përbërës kryesor në programin e tij për njerëzimin. Shokët e Muhamedit (a.s.), gjatë dhënies së besës për besnikëri, i premtonin atij se, ndër të tjera do të shpenzonin në rrugë të Allahut si në bollëk, po ashtu edhe në varfëri.

Hadithi i Ubade ibën Samitit ka të bëjë me këtë çështje. Ai tregon: “I Dërguari i Zotit merrte premtimin tonë për besnikëri dhe ne zotoheshim se do të qëndronim me të në çdo rrethanë, do të shpenzonim në rrugë të Allahut në pasuri dhe në varfëri, do të urdhëronim për punë të mira, do të ndalonim të tjerët nga punët e këqija dhe do të thonim të vërtetën për Allahun, pavarësisht nga pasojat”.

Një pyetje me vlerë që bëhet është se: Përse sadakaja u bë pjesë e premtimit?

Premtimi për të dhënë sadaka, megjithëse i vullnetshëm, ishtë një pjesë thelbësore e besës, pasi pa një përgjegjësi të tillë shoqëria e re nuk do të mund të kishte mbijetuar as në provën e saj të parë. Sadakaja simbolizon një solidaritet kuptimplotë dhe vëllazërinë midis pjesëtarëve të umetit musliman. Ata sigurojnë një rrjet të sigurt për fillestarët që e kanë tjetërsuar veten nga shoqëria jobesimtare dhe si rrjedhim përballen me vështirësi ekonomike. Kufizimi i sadakasë në një sasi të caktuar do të kishte dëmtuar konceptin bazë duke dhunuar karakterin e saj vullnetar.

Në të njëjtën kohë do t’i kishte mohuar shoqërisë burimet e mëdha që ajo siguron për nevojat e saj nëpërmjet sadakasë. Si përfundim, ky kufizim do të kishte vonuar rritjen shpirtërore dhe morale të pjesëtarëve të kësaj shoqërie, të cilën ia premtonte Islami. Është tipik për shpirtin e Islamit, i cili mori mbi vete të rindërtojë një shoqëri të re, ku të varfërit nuk përjashtohen apo injorohen dhe ku njerëzit ndihen të lidhur ngushtë ndërmjet tyre si rrjedhojë e kujdesit reciprok. Ky lloj rindërtimi i shoqërisë buron nga koncepti islam që Zoti është Mëshirues dhe është Ai, i Cili, siç thuhet dhe në fjalët domethënëse të Kuranit, ka marrë përsipër t’i mëshirojë besimtarët. Për këtë virtyti hyjnor duhet të reflektohej në karakterin e besimtarëve. Sadakaja nuk siguroi vetëm një pastrim për ndjenjën individuale të fajit ndaj të shtypurve, por ajo gjithashtu i dha një ndjenjë arritjeje dhënësit të sadakasë si pjesëtar në përpjekje të përbashkëta për një fillim të ri.

Për këtë sadakaja duhet të shkonte përtej kuptimit të bamirësisë. Megjithëse dhënia e parave ishte shfaqja e saj më e fuqishme, sadakaja nuk qëndroi e kufizuar në natyrën materiale; ajo u zgjerua duke u bërë stil jetese dhe një model i ri. Kjo është arsyeja që sipas një hadithi, sadaka mund të jetë gjithçka. Përmasa, sasia dhe forma janë të parëndësishme. Një buzëqeshje e besimtarit në sytë e një besimtari tjetër, heqja e pengesave nga rruga është aq me vlerë, sa mund të jetë një dhurim i madh parash.

Në një hadith të njohur, të transmetuar nga Ebu Musa El-Eshari thuhet se i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.), ka thënë se çdo musliman duhet të japë sadaka. Kur e pyetën se si mund të vepronte dikush që nuk dispononte asgjë, ai u përgjigj se ai duhet të punojë në mënyrë që të fitojë të mira materiale për veten e tij dhe në këtë mënyrë të japë edhe sadaka. Kur e pyetën se çfarë do të ndodhte me dikë që nuk ka mundësi ose nuk e bën këtë, Profeti (a.s.) është përgjigjur duke thënë se ai duhet të ndihmonte dikë që është në nevojë. Kur është pyetur se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën këtë, ai ka thënë se ai person duhet të urdhërojë dhe nxisë për vepra të mira. Kur e pyetën se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën as këtë, ai është përgjigjur se ai person në këtët rast duhet të ndalojë nga e keqja, pasi dhe ajo do të ishte sadaka për të. [1]

Ai çfarë është i rëndësishëm në këto raste është qëllimi. Nëse bëhet për hir të Allahut, atëherë hyn në kufijtë e adhurimit. Në mënyrë paradoksale sadakaja nuk merr karakterin e një obligimi, megjithëse shpërblimi i saj nuk i përfill kornizat e kohës dhe vepruesi i saj vazhdon të përfitojë nga ajo, për aq kohë sa sadakaja e tij ka vlerë në jetë. Për shembull ndërtimi i një shkolle ose ngritja e një familjeje të mirë muslimane e mban ngjall të vdekurin dhe ai përfiton nga çdo e mirë që rrjedh prej tyre. Kjo është tërësisht e ndryshme nga namazi dhe agjërimi, të cilat për nga natyra e tyre personale shkojnë bashkë me të vdekurin në momentin e vdekjes.

Nga ana tjetër, zekati është një sadaka e detyrueshme, të cilën i pasuri duhet t’ia paguajë shtetit islam, në mënyrë që ta ndihmojë atë e të krijojë një mjedis të favorshëm, ku qytetarët të jetojnë në dashuri dhe qetësi. Nëpërmjet këtij mjedisi shteti realizon detyrimet e tij karshi qytetarëve. Me fjalë të tjera, zekati në qëllimin e tij të gjerë merret me politikat fiskale të shtetit, pasi ndikon mbi klimën shpirtërore dhe morale duke qenë një mjet për ndryshime shoqërore, burim i vazhdimësisë së tij dhe një mjet për sigurinë e kufijve te tij ideologjikë në një botë jo shumë miqësore. Është vërtetuar se Profeti (a.s.) e zotëronte zekatin si një mjet shumë efikas, të cilin ai e përdorte në mënyrë të përfyturuar për të ndërtuar lëvizjen islame, për të fituar mbi armiqtë e saj dhe në këtë mënyrë të përhapte ndikimin e kësaj lëvizjeje.

Ta cilësosh zekatin si një lëmoshë, jo vetëm që e minimizon qëllimin e tij, por e poshtëron atë. Kurani e ngre zekatin në nivelin e namazit (një adhurim vetëm për Zotin) dhe u jep të dyve një barazi që qëndron unike në stilin kuranor të të shprehurit. Mënyra se si është mbledhur zekati pa asnjë gjurmë dhune – duke i dhënë të drejtën individit të ndajë të mirat e tij materiale që do t’i japë për zekat dhe duke e kufizuar mbledhësin e zekatit që të marrë çfarëdo që t’i jepet dhe në pikën më kulminante duke bërë lutje për dhënësin që pasuria e tij të rritet – e ndan zekatin nga një natyrë që shkon shumë përtej asaj të taksës.

Ajo që duhet vlerësuar së tepërmi rreth zekatit është se ai kryen një punë që sistemi i taksave nuk mund ta përmbushë. Të gjitha sistemet e taksave, të ngritura nga shteti, janë të karakterizuara nga mosmarrveshjet midis qeverisë dhe qytetarëve. Fakti se një tensionim i tillë shprehet apo jo nuk i përket kësaj teme. Ajo që duhet marrë në konsideratë është fakti se ky tensionim është prezent. Madje dhe në shoqëritë e ashtuquajtura të zhvilluara, ku roli i taksave në një shtet modern është i kuptuar drejtë, ka një konflikt interesash ndërmjet dhënësit dhe marrësit të taksave. Pyetja “Pse duhet të mbështes programet sociale?” vazhdon të shfaqet në forma dhe debate të ndryshme.

Zekati nuk mbart në vetvete probleme të tilla, pasi ai merr parasysh kontekstet njerëzore të marrëdhënieve ekonomike. Në thelb të programit të tij është njeriu. Alija Ali Izetbegoviç (Zoti e mëshiroftë!) e ka vënë në dukje shumë qartë këtë pikë kur ka thënë: “Çdo zgjidhje sociale duhet të përfshijë zgjidhjet njerëzore. Ajo nuk duhet të ndryshojë vetëm marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe ato midis njerëzve. Kjo duhet të sjellë, bashkë me shpërndarjen e të mirave materiale, edhe përhapjen e dashurisë, zhvillimit dhe mëshirës për njëri-tjetrin.Varfëria është një problem, por gjithashtu është edhe një mëkat (social). Ajo nuk zgjidhet vetëm përmes ndryshimit të zotëruesit të këtyre të mirave, por përmes sakrificës personale, qëllimit dhe vullnetit të mirë. Asgjë nuk mund të arrihej nëse do të kishte vetëm ndërrim të pronarit, ndërkohë që urrejtja, shfrytëzimi dhe nënshtrimi do të ekzistonin në shpirtrat e njerëzve. Kjo është arsyeja e dështimit të revoltave fetare kristiane dhe revolucioneve socialiste. [2]

Interesimi i Islamit është shumë i madh për të varfërit dhe nevojtarët, saqë kur sistemi dështon në arritjen e rezultateve ose kur të pasurit janë të papërgjegjshëm për të shtypurit, këtyre të fundit u lejohet të rrëmbejnë për nevojat e tyre nga të parët, veçanërisht në një situatë urie. Ky lloj radikalizmi është tipik për Islamin dhe nuk mund të shpjegohet në zhargonet socialiste ose të dënohet nga interesat borgjeze për ligj dhe rregull. Është njeriu dhe e drejta e tij për të jetuar që udhëheq çdo gjë. Parapëlqimi i Sejid Sabikut për fjalën “shumë për të paguar” për termin zekat, megjithëse i pranuar në literaturën e jurisprudencës islame, nuk i ka shpëtuar diskutimeve. Në një hadith që flet për “Sadakanë e Fitrit” është përdorur gjithashtu edhe fjala “Zekati i Fitrit”, kjo mbase për të theksuar më shumë detyrimin e saj. Profeti (a.s.) e bëri detyrë për çdo femër dhe mashkull, të lirë apo skllav, pagesën e një sa’a (njësi matëse e barabartë me 3 kg) hurmash ose elbi si zekat të Fitrit[3] (që quhet ndryshe sadakaja e ramazanit).

Në një hadith tjetër Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) urdhëroi për sadakanë e Fitrit, që siç pastroheshin agjëruesit nga veprat e këqija dhe gabimet e tyre, ashtu dhe të varfërve t’u jepej mundësia të siguronin nevojat e tyre bazë për ushqim dhe veshmbathje. Për këtë, sadakaja e një personi që e jep atë para faljes së Bajramit të Madh do të pranohet nga Allahu si zekat i Fitrit, ndërsa sadakaja e

atij që e vonon do të quhet si bamirësi e zakonshme.[4]

Nga ky hadith rrjedhin katër parime:

  • Sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për të gjithë.
  • Dhënia e saj e pastron atë që e jep nga veprat e këqija e në këtë mënyrë e bën më perfekt agjërimin e tij.
  • Qëllimi i saj është t’i ndihmojë të varfërit dhe nevojtarët të gëzojnë në festën e Bajramit.
  • Pagesa sa më shpejt e tij sjell shpërblim të madh.

Disa juristë, megjithëse e pranojnë detyrimin e sadakasë së Fitrit, e caktojnë atë në rastin e zotërimit të nisabit[5]. Për këtë, nëse dikush në mëngjesin e Bajramit nuk e ka minimumin e sasisë që do ta detyronte të paguajë zekatin, atëherë ai nuk është i detyruar të paguajë sadakanë e Fitrit. Të tjerë mbrojnë idenë se zotërimi i kësaj sasie nuk është kusht i detyrueshëm. Çdo person që zotëron rezervat e një dite duhet të paguajë sadakanë e Fitrit. Ka tre argumente që e mbështesin pikëpamjen e mësipërme:

  • Pothuajse në të gjithë hadithet mbi këtë temë nuk gjendet kushtëzimi për zotërimin e sasisë që bën të detyruar pagimin e zekatit.
  • Sasia që duhet paguar është shumë e vogël – 2176 gramë hurma, elb, grurë ose ndonjë njësi ushqimore tjetër e vlefshme në lloj ose vlerë.
  • Veçoritë e zekatit që kanë të bëjnë me sasinë e detyruar për ta paguar atë nuk gjenden në sadakanë e Fitrit. Për shembull, zekati nuk është i detyrueshëm për fëmijët (pa sasinë e detyrueshme për dhënien e zekatit), ndërkohë që sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për ta.

Përveç kësaj, për pagesën e zekatit duhet të plotësohet hauli (një vit i plotë), ndërkohë që nuk ka një periudhë të tillë për sadakanë e Fitrit. Prindërit duhet ta paguajnë sadakanë e Fitrit edhe për një fëmijë që lind para agimit të ditës së Bajramit. Personi që vdes përpara agimit të ditës së Bajramit përjashtohet nga pagesa e sadakasë së Fitrit, ndërsa në rastin e zekatit, nëse personi vdes përpara mbarimit të përmbushjes së vitit dhe zekati ka qenë i detyrueshëm për të, në këtë rast zekati paguhet nga trashëgimtarët.

Zekati si një institucion është i lidhur ngushtë me politikat fiskale, madje ai luan një rol të rëndësishëm në zhdukjen e pabarazisë në shoqëri. Zbatimi i tij nuk është i kufizuar në një apo në dy ditë, por vazhdon gjatë gjithë vitit. Në të kundërt, sadakaja e Fitrit është specifike për Bajramin, duke bërë që ata që nuk kanë ushqim ose gjëra të tjera të gëzojnë në festë duke mos u ndjerë të përjashtuar nga atmosfera festive e Bajramit.

Një referim i rastit mund t’i bëhet dhe zekatit për frutat dhe perimet. Në literaturën klasike rreth zekatit, ashtu si edhe në këtë libër, artikujt si perimet dhe frutat, përveç rrushit dhe hurmës kanë qenë të përjashtuara nga zekati. Një politikë e tillë e zekatit mbrohet dhe nga thëniet profetike. Megjithatë, nëse në çështje të tilla qëllimi i Sheriatit është vendimtar si një përcaktues, atëherë një arsyetim logjik mund të ngrihet për të gjetur arsyen pse Profeti i përjashtoi ato (rrushin dhe hurmën) nga zekati.

Ekzistojnë dy lloje artikuj të ngrënshëm:

– të qëndrueshme dhe jo të dëmtueshme

– të dëmtueshme që prishen lehtë

Profeti (a.s.) i bëri të detyrueshëm për zekat artikujt e qëndrueshëm për arsyen e mundshme të jetëgjatësisë së tyre gjatë ruajtjes. Ai la jashtë zekatit artikujt e dëmtueshëm, ku bëjnë pjesë frutat dhe perimet. Përjashtim bën rrushi për të cilin ndonjë mund të thotë se, përderisa ai mund të kthehet në rrush të thatë Profeti (a.s.) e ka përfshirë në zekat, pavarësisht se ai është një frut. Nëse ky lloj arsyetimi është i pranueshëm, atëherë mund të diskutohet fakti se nga ruajtja në frigorifer e frutave, dallimi midis artikujve të dëmtueshëm dhe të padëmtueshëm si përcaktues për zekat nuk është më i vlefshëm, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për mollët, portokallet, bananet dhe pjeshkët. Në mënyrë të ngjashme me rrushin, i cili mund të kthehet në rrush të thatë, mund të jenë dhe mollët, kajsitë, ananasi dhe bananet. Të gjitha këto fruta mund të thahen dhe ruhen për një kohë të gjatë, kështu që ekziston mundësia për t’u përfshirë në zekat. Zoti e di më së miri.

 

 

Zekati në jurisprudencën islame

 

Përkufizim

Zekati është ajo pjesë e caktuar e pasurisë së dikujt që Zoti obligon që ajo të jetë e destinuar për të varfërit.

Termi rrjedh nga rrënja e foljes arabe “të shtosh”, “të pastrosh” dhe “të bekosh”. Origjina e tij është në urdhërat e Allahut:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِمْ بِهَا…

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh…” (Et-Teube, 103)

Kjo është arsyeja që kjo lloj sadakaje është quajtur zekat, pasi me pagesën e saj personi shpreson të marrë bekimin, pastrimin dhe rritjen e veprave të mira.

Duke marrë parasysh natyrën e tij, nuk është e çuditshme që zekati përbën një

nga pesë shtyllat e Islamit. Ai i është bashkangjitur namazit në 82 ajete kuranore. Allahu i Lartësuar ka porositur për të në Kuran, Profeti e vërteton atë me Sunetin e tij dhe po ashtu umeti është unik në këtë.

Ibën Abasi transmeton se, kur Profeti (a.s.) e dërgoi Muadh ibën Xhebelin ne Jemen (si guvernator të tij), i tha: “Ti po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit. Ftoi ata të pranojnë shehadetin: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij. Nëse e pranojnë dhe e deklarojnë këtë, thuaju që Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar për pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse e pranojnë, thuaju gjithashtu se Ai ka urdhëruar për sadaka nga pasuritë e tyre, e cila merret nga të pasurit e shoqërisë muslimane dhe u ndahet të varfërve të tyre. Nëse e pranojnë edhe këtë, ki kujdes dhe mos e merr pasurinë më të dashur të tyre dhe frikësohu lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, pasi nuk ka pengesë midis asaj dhe Allahut”. [6]

Tabaraniu në librin e tij “El-Ausat” dhe “Es-Sagir” transmeton nga Aliu (r.a.) se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu ka detyruar muslimanët e pasur të japin një pjesë nga pasuria e tyre sipas nevojave të të varfërve të tyre. Të varfërit nuk do të vuajnë kurrë nga uria apo mungesa e veshmbathjes, derisa të pasurit të mos e neglizhojnë detyrimin e tyre. Nëse veprojnë kështu, Zoti me siguri do t’u kërkojë llogari dhe do t’i dënojë ashpër”.[7] Hadithi transmetohet nga Tabaraniu dhe ai ka thënë se ky hadith është përcjellë vetëm nga ana e Thabit ibën Muhamed Zahidit.

Në ditët e hershme të Islamit në Mekë nuk ishte vendosur kufi ose përcaktim mbi sasinë që do dhurohej. Ky vendim i ishte lënë ndërgjegjes dhe bujarisë së individit musliman. Vitin e dytë të hixhretit, sipas autoriteteve të njohura gjerësisht, si lloji ashtu edhe sasia e zekatit, ishin të caktuara dhe ishin siguruar ilustrime të detajuara.

 

 

NXITJA për të dhënë zekat

 

  1. a) Argumente nga Kurani

Nëpërmjet sures Teube në ajetin 103, Profeti (a.s.) autorizohet të marrrë një sasi të caktuar nga pasuria e besimtarëve në formën e zekatit të detyrueshëm ose një shumë të pacaktuar vullnetare të zekatit (zekati tetavu). Në këtë ajet, “pastrimi” do të thotë t’i pastrojë ata nga kopracia dhe lakmia. Gjithashtu dhe nga harresa e të varfërve dhe të vobektëve. T’i shenjtërosh ata, do të thotë t’i vlerësosh dhe respektosh përmes veprave të mira dhe bekimeve, në mënyrë që ata të jenë të lumtur si në këtë botë, ashtu dhe në tjetrën. Duke iu referuar jetës në botën tjetër, Allahu thotë:

إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَعُيُونٍ)آخِذِينَ مَا آتَاهُمْ رَبُّهُمْ إِنَّهُمْ كَانُوا قَبْلَ ذَلِكَ مُحْسِنِينَ)كَانُوا قَلِيلاً

مِنْ اللَّيْلِ مَا يَهْجَعُونَ(وَبِالأَسْحَارِ هُمْ يَسْتَغْفِرُونَ(وَفِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ لِلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ

“Të devotshmit janë në kopshte dhe burime. Të kënaqur që kanë atë që u dha Zoti i tyre se ata më parë ishin mirëbërës. Ata ishin që flinin pak natën, në syfyr kërkonin falje per mëkatet dhe në pasuritë e tyre kishin caktuar të drejtë për lypësin dhe të ngratin”. (Edh-Dharijatë, 15-19)

Allahu e cilëson bamirësinë dhe të vepruarit drejt si cilësi të veçantë të përkushtimit. Si pasojë e bamirësisë së tyre, ata falen natën dhe kërkojnë falje nga Allahu në agim si një mënyrë adhurimi dhe afrimi tek ai. Bamirësia e tyre shfaqet kur ata u japin të varfërve të drejtën e tyre në shenjë respekti dhe mëshire për ta.

Zoti i Madhëruar më tej thotë:

وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنْ الْمُنكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاَةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ سَيَرْحَمُهُمْ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur me njëri-tjetrin; urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja; falin namazin dhe japin zekatin; respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Njerëz të tillë Allahu ka për t’i mëshiruar…”. (Et-Teube, 71)

Të tillë persona janë ata që janë bekuar nga Zoti i tyre dhe u është dhënë mëshira e Tij. Ata që i besojnë sinqerisht Allahut, kujdesen për njëri-tjetrin me mbështetje e dashuri dhe nxisin për të mirë dhe ndalojnë nga punët e këqija. Ata kanë një lidhje të fortë me Allahun nëpërmjet lutjes dhe që i forcojnë lidhjet e ndërsjella midis tyre përmes zekatit. Si përfundim, këta njerëz janë ashtu siç paraqiten në suren El-Haxh në ajetin 41, ku thuhet:

الَّذِينَ إِنْ مَكَّنَّاهُمْ فِي الأَرْضِ أَقَامُوا الصَّلاَةَ وَآتَوْا الزَّكَاةَ وَأَمَرُوا بِالْمَعْرُوفِ وَنَهَوْا عَنْ الْمُنْكَرِ وَلِلَّهِ عَاقِبَةُ الأُمُورِ

“…ata të cilët, pasi janë vendosur në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për punë të mira dhe ndalojnë nga punët e këqija. Allahut i takon përfundimi i çështjeve”. Pra, dhënia e zekatit është një nga arsyet që njerëzve të drejtë u jepet fuqi në tokë.

 

  1. b) Argumente nga hadithi

Tirmidhiu transmeton nga Ebu-Kebsheh El-Amari se Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem mbi tre gjëra dhe ju kërkoj t’i mbani mend fjalët e mia: Sadakaja nuk e pakëson kurrë pasurinë nga e cila nxirret; një person të cilit i bëhet padrejtësi dhe bën durim në këtë, Zoti do t’i shtojë krenari; një njeri që fillon të lypë, Zoti do ta bëjë atë të varfër”.[8]

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu e merr bamirësinë e bërë me dorën e Tij të djathtë dhe pastaj e shton atë për ndonjërin nga ju, në të njëjtën mënyrë siç ju rritni një mëz, një viç ose një deve të vogël, kështu që grimca bëhet aq e madhe sa mali i Uhudit”.[9] Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe ky i fundit e gradon këtë hadith të vërtetë.

Për përmbajtjen e këtij hadithi Uakiu thotë: “Kjo gjë është e vërtetuar edhe nga Kurani:

أَلَمْ يَعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ هُوَ يَقْبَلُ التَّوْبَةَ عَنْ عِبَادِهِ وَيَأْخُذُ الصَّدَقَاتِ وَأَنَّ اللَّهَ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

A nuk e dinin ata se Allahu është ai që pranon pendimin e robërve të Tij, pranon lëmoshat…(Et-teube, 104) dhe

 

يَمْحَقُ اللَّهُ الرِّبَا وَيُرْبِي الصَّدَقَاتِ

Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën …(El-Bekare, 276)

Përsëri Ahmedi transmeton me një zinxhir transmetuesish që konsiderohet i vërtetë se Enesi ka thënë: “Një njeri i fisit Temim shkoi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam shumë pasuri, një familje të madhe, një shumë të madhe parash dhe e nderoj mysafirin. Më trego çfarë të bëj dhe si ta shpenzoj atë?” I Dërguari i Zotit iu përgjigj: “Ndaje zekatin e pasurisë tënde, se me të vërtetë ai ështe një pastrues që të pastron, ji i sjellshëm me të afërmit e tu dhe prano të drejtat e të varfërve, fqinjëve dhe lypsëve!”[10]

Transmetohet nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem mbi tre gjëra: Allahu nuk e barazon atë që ka hise në Islam me atë që nuk ka. Hiset e Islamit janë tre: namazi, agjërimi dhe zekati. Në qoftë se një njeri kujdeset për një tjetër në këtë botë, Allahu do të kujdeset për të Ditën e Gjykimit. Nëse Allahu pëlqen një njeri të caktuar në këtë botë, me siguri që do ta bëjë atë edhe Ditën e Gjykimit. Përsa i përket të katërtës, unë po  të betohem mbi të shpresoj të mos bëj gjynah e ajo është se, nëse Allahu ia mbulon gabimet një robi në këtë botë, me siguri se do t’ia mbulojë edhe në Ditën e Gjykimit”.[11]

Tabaraniu transmeton në librin “El-Eusat” se Xhabiri tregon: “Një burrë tha: O i dërguar i Allahut! Çfarë fiton dikush që paguan zekatin e mallit të tij? I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Shpërblimi për atë që jep zekatin e mallit të tij është largimi i së keqes brenda vetes”.[12]

Për të njëjtën temë, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Xherir ibën Abdullahu ka thënë: “Unë i dhashë besën Muhamedit (a.s.) se do të falja namazin, do të jepja zekatin dhe do të këshilloja çdo musliman”.[13]

 

 

Kërcënimi për mosdhënien e zekatit

 

  1. Argumente nga Kurani

Allahu i Madhëruar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ كَثِيرًا مِنْ الأَحْبَارِ وَالرُّهْبَانِ لَيَأْكُلُونَ أَمْوَالَ النَّاسِ بِالْبَاطِلِ وَيَصُدُّونَ عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“O ju që besuat! Me të vërtetë një shumicë e parisë fetare të çifutëve dhe të krishterëve në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Lajmëroi për një dënim të dhembshëm ata që e ruajnë arin dhe argjendin dhe nuk e japin në rrugën e Allahut!” (Et-Teube, 34) dhe

“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit.”. (Ali Imran, 180)

 

  1. b) Argumente nga hadithi

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Asnjë zotërues pasurie[14] që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet nga djegia e tij në zjarrin e xhehenemit dhe do të kthehet në pllaka. Pjesët anësore të kokës dhe balli i atij personi do të vulosen me to, derisa Allahu të gjykojë robërit e tij Ditën e Gjykimit, ditë e cila zgjat 50 000 vjet. Pastaj individit do t’i tregohet rruga, e cila e çon në parajsë ose në ferr. Asnjë pronar devesh që nuk e paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet mbi një fushë të rrafshët rëre dhe devetë e tij do të kalojnë mbi të njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë deveja e fundit, do të kthehet rishtaz të kalojë mbi të deveja e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të tij në një ditë që zgjat 50 000 vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga e tij që e çon në parajsë ose në ferr. Në të njëjtën mënyrë, asnjë pronar delesh, që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet përpara tyre në një fushë me rërë dhe delet do të kalojnë sipër tij me aq fuqi sa do vijnë dhe do ta shkelin me thundrat e tyre dhe do ta shpojnë me brirët e tyre – me brirë të përdredhura ose pa brirë vijnë njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë kafsha e fundit, do të kthehet rishtaz të kalojë mbi të kafsha e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të Tij në një ditë që zgjat 50 000 vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga që e çon në parajsë ose në ferr”.

Shokët e pyetën Profetin (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Po për kuajt?” Ai iu përgjigj: “Kuajt mbajnë mirësi në ballin e tyre” (ose ka thënë): “Mirësia qëndron në ballin e kuajve deri në Ditën e Gjykimit. Kuajt janë tre llojesh: Ata mund të jenë shkak për shpërblimin e pronarit, mund të jenë një mbulesë ose një barrë për të. Përsa i përket asaj që sjellin shpërblim është për atë që i rrit dhe i stërvit ata për hir të Allahut. Ai person ka shpërblim, aq sa dhe i gjithë ushqimi që ata hanë konsiderohet shpërblim për atë person. Për çdo fije bari në lëndinën ku ata kullosin ka shpërblim, për çdo pikë uji që dikush ua jep atyre për të pirë nga ndonjë lumë ka shpërblim…”. Ai vazhdoi kështu derisa përmendi shpërblim për fekalet (jashtëqitjen) dhe urinën e tyre. Pastaj ai vazhdoi: “Pra, dhe për çdo hap që ata hedhin në malore ka shpërblim. Ai që i rrit ata me krenari dhe i kujton të drejtat e shpinëve dhe barqeve të tyre si në bollëk, ashtu edhe në mjerim, atij ata do t’i falin mbulim (në botën tjetër). Për atë person, për të cilin kuajt janë një barrë, është ai person që i rrit për lavdi dhe për t’u dukur në sytë e njerëzve”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Po për gomerët?” Ai tha: “Zoti nuk më ka shpallur ndonjë gjë për ta, përveç këtij ajeti kuptimplotë dhe të veçantë: “E kush punoi ndonjë gjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”.[15] (Ez-Zelzele, 7)

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Profeti (a.s.) se ai ka thënë: “Çdokush që Allahu e ka pasuruar dhe ai nuk paguan zekat nga pasuria e tij, në Ditën e Gjykimit ajo do të kthehet në një gjarpër helmues i shogët me dy njolla të zeza mbi sytë e tij. Gjarpëri në Ditën e Gjykimit do ta rrethojë qafën e tij dhe do t’ia kafshojë faqet duke i thënë: “Unë jam pasuria dhe thesari yt”. Pastaj Profeti (a.s.) lexoi vargun kuranor:

 

وَلاَ يَحْسَبَنَّ الَّذِينَ يَبْخَلُونَ بِمَا آتَاهُمْ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ هُوَ خَيْرًا لَهُمْ بَلْ هُوَ شَرٌّ لَهُمْ سَيُطَوَّقُونَ مَا بَخِلُوا بِهِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلِلَّهِ مِيرَاثُ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju”.[16] (Ali Imran, 180)

Ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “O muhaxhirun! Bëni kujdes nga pesë gjëra: nëse sprovoheni me to ose gjenden në mesin tuaj, i kërkoj Allahut të mos i arrini: Nëse imoraliteti përhapet në një shoqëri dhe nuk ekziston ndjenja e turpit për përhapjen e tij dhe përmendjen e tij (njerëzit flasin rreth tij sikur asgjë e keqe të mos kishte ndodhur) mes tyre do të shfaqen sëmundje që nuk kanë ekzistuar tek parardhësit e tyre. Nëse masin mangut ata do t’i përfshijë varfëria, rezervat do t’u pakësohen dhe udhëheqësi i tyre do të jetë zullumqar. Nëse nuk e paguajnë zekatin e detyruar mbi pronën e tyre, do t’u ndalohen reshjet nga qielli dhe po të mos ishin shtazët nuk do të binte shi. Nëse ata deklarojnë shkëputjen e lidhjeve të tyre me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do të udhëhiqen nga një armik që do të jetë i huaj për ta dhe do t’u marrë një pjesë të pasurisë së tyre. Nëse udhëheqësi i tyre nuk udhëheq sipas ligjeve të librit të Allahut, ata njerëz do të përfshihen nga lufta civile”.[17] Transmeton Ibën Maxhe, El Bezari dhe Bejhakiu.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga El Ehnaf ibën Kajs se ai ka thënë: “Isha me disa burra nga fisi i Kurejshëve, kur erdhi një burrë[18] me flokë, rroba dhe pamje të çrregullt. Ai qëndroi, i përshëndeti ata dhe u tha: “Lajmëroni ata që kanë grumbulluar pasuri që një gur do të nxehet në zjarrin e xhehenemit dhe do të vendoset në majën e gjokseve të tyre, derisa të dalë në majë të shpatullës. Pastaj do të vendoset në majë të shpatullës derisa të dalë nga maja e gjokseve të tyre dhe ata do të tronditen”.

Pastaj ai u largua – tregon El Ehnaf ibën Kajsi – u ul pranë një shtylle e ndoqa dhe u ula pranë tij, pa e ditur se kush ishte. I thashë: “Këta njerëz nuk e pëlqyen atë që u the”. Ai më vështroi dhe tha: “Ata nuk kanë kuptuar asgjë nga ato që tha shoku im”. Unë e pyeta: “Kush është shoku yt?” Ai u përgjigj: Profeti (a.s.). Një ditë ai më pyeti: “A e shikon malin e Uhudit?” Unë vështrova diellin për të parë edhe sa kohë kishte mbetur nga dita, pasi mendova se ai do të më dërgonte për të marrë diçka për të. I thashë: “Po”. Më pas ai tha: “Asgjë nuk do të më kënaqte më tepër se të kisha flori aq sa madhësia e Uhudit dhe ta shpenzoja të tërën në rrugë të Allahut, përveç tre dinarëve”. Me të vërtetë këta njerëz nuk kuptojnë asgjë dhe vazhdojnë të grumbullojnë pasuri. Pasha Allahun! Unë nuk i kërkoj atyre asgjë nga kjo botë e as nga feja derisa të takoj Allahun e Lartësuar”.[19]

 

Gjykimi për mosdhënësit e zekatit

Zekati është një nga kërkesat themelore të Islamit dhe obligim për muslimanët. Në lidhje me këtë i gjithë umeti musliman është unik dhe është bërë aq e njohur sa, nëse dikush e mohon këtë detyrim, ai do të ishte jashtë Islamit dhe ligjërisht mud të dënohej me vdekje për mosbesimin e tij, përveç rastit nëse ai do të ishte një musliman i ri dhe do të justifikohej me paditurinë e tij. Nëse dikush nuk e paguan atë, pa e mohuar obligimin e tij, ai konsiderohet si mëkatar dhe ky veprim nuk e nxjerr atë jashtë Islamit. Është detyrë e udhëheqësit të mbledhë zekatin nga debitorët e vonuar me forcë dhe qortohet, duke marrë parasysh rastin kur ai mbledh më shumë se sasia e caktuar. Megjithatë, sipas pikëpamjes së Ahmedit dhe Shafiut (në mendimin e tij të hershëm), udhëheqësi mund të merrte ½ e sasisë së pasurisë së debitorëve të vonshëm mbi sasinë e llogaritur për zekat si dënim.

Ky mendim bazohet në atë që Ahmedi, Nesaiu, Hakimi, Ebu Dauti dhe Bejhakiu kanë transmetuar nga Behz ibën Hakimi dhe zinxhiri i transmetuesve shkon deri tek gjyshi i tij, i cili thotë: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: “Nuk ka dallim në llogari për paguesin me dëshirë, nëse devetë e tij janë të rritura apo janë të vogla. Por, në qoftë se dikush nuk e paguan atë, atëherë do t’i merret atij si detyrim ½ e pasurisë së tij, kjo pasi është një e drejtë e Zotit tonë të Lartësuar dhe të Madhëruar dhe nuk i takon asgjë nga ajo pasuri familjes së Muhamedit”.[20]

Ahmedi është pyetur për zinxhirin e këtij hadithi dhe ai e ka konsideruar si të mirë. Hakimi thotë për Behzin se hadithi tij është autentik. Imam Shafiu, sipas Bejhakiut, nuk e ka përfshirë atë në konsideratën e fik’hut duke thënë se ky hadith nuk është konfirmuar nga studiuesit e hadithit e po të vërtetohej ky hadith, do të vepronim sipas tij.

Në qoftë se disa njerëz nuk e paguajnë zekatin duke e ditur se është detyrë dhe duke pasur mundësi për ta paguar, ata duhet të luftohen, derisa ta dorëzojnë dhe ta paguajnë atë.

Buhariu dhe Muslimi tansmetojnë nga Umeri se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë kanë siguruar jetën dhe pasuritë e tyre, përveçse nga ajo që i detyrohen Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu”.[21]

Ebu Hurejra transmeton të ketë thënë se kur vdiq Muhamedi (a.s.) dhe atë e pasoi si kalif Ebu Bekri (r.a.), disa arabë e lanë fenë duke u bërë shkak që Ebu Bekri t’u shpallë luftë atyre.[22] Umeri i tha atij: “Pse duhet t’i luftosh këta njerëz, kur Profeti (a.s.) thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë kanë siguruar jetën dhe pasuritë e tyre, përveçse nga ajo që i detyrohen Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu”.

Ebu Bekri (r.a.) iu përgjigj: “Pasha Allahun! Unë do t’i luftoj ata që e ndajnë namazin nga zekati, se zekati është detyrë mbi pasurinë. Pasha Allahun! Nëse ata do mbanin edhe një kec që e paguanin në kohën e të Dërguarit të Allahut, unë do t’i luftoja ata për atë ndalesë”.

Pastaj Umeri (r.a.) tha: “Për Zotin! Ishte Ai që ia dha Ebu Bekrit (r.a.) njohurinë e saktë për të luftuar dhe unë e mora vesh mirë se ai kishte pasur të drejtë”.[23]

I njëjti hadith i transmetuar nga Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu ka variantin vijues: “Nëse ata ndalojnë edhe litarin e devesë”[24], në vend të kecit.

 

 

 

Kush detyrohet të paguajë zekat ?

 

Zekati duhet të paguhet nga çdo musliman që ka një shumë të caktuar (nisab) nga çdo lloj pasurie, nga e cila duhet të jepet zekati. Nisabi është i kushtëzuar nga sa më poshtë:

 

1- Zekati paguhet për çdo shumë që mbetet, pasi të jenë mbuluar shpenzimet e domosdoshme për ushqim, veshmbathje, strehim, automjete dhe makineri të nevojshme.

 

2- Duhet të kalojë një vit i plotë sipas kalendarit të Hixhrit që nga koha e zotërimit të nisabit, pa asnjë rënie gjatë vitit. Në rast uljeje (të qenit më pak se nisabi) viti i llogaritjes (hauli) fillon nga dita e përmbushjes (plotësimit) të nisabit.

Duke komentuar këtë çështje, Neveviu ka thënë: “Sipas mendimit tonë, Malikut, Ahmedit dhe shumicës së dijetarëve, sasia e pasurisë që bën të detyruar pagimin e zekatit si për floririn, argjendin dhe kafshët e kullotës, është e lidhur me plotësimin e nisabit gjatë një viti të plotë. Nëse sasia e zekatit ulet në çfarëdo kohë të vitit, llogaritja e vitit nuk vazhdon. Më vonë, kur plotësohet nisabi, llogaritja e vitit bëhet nga momenti i plotësimit të nisabit. Për të njëjtën temë, Ebu Hanife mbron idenë: “Ajo çka është e rëndësishme është ekzistimi i nisabit në fillim dhe në fund të vitit. Ulja e tij në mes të vitit nuk ka rëndësi, edhe nëse paguesi i zekatit kishte 200 derhem dhe i humbi të gjitha përveç 1 derhemi gjatë vitit dhe nëse ai kishte 40 dele dhe nga ngordhja e të cilave i mbetet vetëm një gjatë vitit. Në qoftë se në fund të vitit ai kishte 200 derhem ose 40 dele, ai duhet të paguajë zekat për të gjitha këto. Ky kusht nuk aplikohet me zekatin e të mbjelljeve dhe frutave. Për zekatin e tyre duhet të paguhet ditën e vjeljes. Allahu i Madhëruar thotë: “Jepeni hakun e tyre ditën e vjeljes”.

El Abderi e ka shtjelluar këtë temë duke thënë se pasuritë e zekatit ndahen në dy lloje: Lloji i parë rritet vetë dhe këtu hyjnë drithërat dhe frutat, ndërsa lloji i dytë përdoret për rritje dhe prodhim si paratë, tregtia dhe kafshët e kullotës. Në rastin e parë, zekati duhet të paguhet për shkak të ekzistimit të tij, ndërsa në rastin tjetër duhet paguar në fund të periudhës së caktuar dhe nuk jepet zekati para se të plotësohet viti. Ky është mendimi i gjithë juristëve siç është raportuar në “Al Maxhmu” të Neveviut.

 

Zekati nga pasuria e fëmijëve dhe të sëmurëve mendorë

Kujdestari i një fëmije ose një të sëmuri mendor duhet të paguajë zekat nga pasuria e tyre nëse plotësojnë nisabin. Amr ibën Shuajbi transmeton nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij, i cili transmeton nga Abdullah ibën Amr se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush merr në kujdes një jetim që ka pasuri, le të tregtojë me atë pasuri për interes të tij (jetimit) e të mos e lërë pasive e kështu të harxhohet duke dhënë zekatin”[25].[26] Megjithatë, ky hadith ka dobësi në zinxhirin e tij.

El Hafidh thotë se ka një hadith të ngjashëm të llojit mursel në përmbledhjen e Shafiut, i cili konfirmon këtë hadith duke u mbështetur në domethënien e haditheve të tjera, të cilat flasin mbi zekatin. Aishja (r.a.) e nxirrte gjithnjë zekatin e disa jetimëve që ishin nën kujdestarinë e saj.[27]

Si përfundim, Tirmidhiu[28] thotë: “Juristët kanë mendime të ndryshme mbi këtë çështje. Më shumë se një nga sahabët e Profetit (a.s.) kanë thënë se zekati duhet të merret nga pasuria e jetimit. Ndër ta është Umeri (r.a.), Aishja (r.a.), Aliu (r.a.) dhe Ibën Umeri (r.a.). Ky mendim përkrahet gjithashtu dhe nga Maliku, Ahmedi, Shafiu dhe Is’haku. Një grup tjetër që përfshin Sufjanin dhe Ibën Mubarekun mbrojnë idenë se zekati nuk duhet të merret nga pasuria e jetimit.

 

Debitorët e paaftë për të paguar

Kushdo që zotëron pasuri, duhet të paguajë zekatin e saj. Nëse zotëruesi është në borxhe, ai duhet të paguajë në fillim borxhet dhe në rast se ajo që mbetet mjafton për të përmbushur nisabin, ai duhet të paguajë zekat. Nëse nuk mjafton për nisabin, ai nuk ka detyrim ta paguajë zekatin, pasi ai konsiderohet i varfër. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Vetëm të pasurit duhet ta paguajnë zekatin”.[29] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Buhariu. Ky i fundit e ka regjistruar atë në formën mualak.

Profeti (a.s.) ka thënë gjithashtu: “Zekati u merret të pasurve dhe u jepet të varfërve”.[30]

Është e njëjta gjë, qoftë ai debitor tek Allahu ose tek njeriu, sepse një hadith thotë: “Borxhi ndaj Allahut meriton të paguhet më parë”.[31]

 

Zekati i përftuar nga një person i vdekur

Nëse një person vdes përpara se të paguajë zekatin, atëherë atij i merret nga pasuria e patundshme e tij. Sipas Shafiut, Ahmedit, Is’hakut dhe Ebu Theurit, është e detyrueshme që zekati të paguhet nga pasuria e një personi të vdekur dhe kjo pagesë merr përparësi mbi borxhin, testamentin dhe trashëgiminë. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë:

مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِينَ بِهَا أَوْ دَيْنٍ وَلَهُنَّ الرُّبُعُ مِمَّا تَرَكْتُمْ

pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi, atyre u takon ¼ nga ajo që ju lini”. (En-Nisa, 12)

Zekati është një borxh që i paguhet Zotit të Madhëruar.

Një burrë shkoi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: “Nëna ime vdiq dhe i kishte mbetur për të agjëruar një muaj. A ta mbaj unë për të? Profeti (a.s.) ia ktheu: “Nëse nëna jote do të kishte borxhe, a do t’i shlyeje ti borxhet e saj? “Po, – u përgjigj burri”. Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Borxhi ndaj Allahut meriton të paguhet më parë”.[32] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

  • Nijeti (qëllimi)

Meqë pagimi i zekatit është një veprim adhurimi, vlefshmëria e tij varet nga shprehja e qëllimit të personit. Për këtë, ai që paguan zekatin, duhet ta paguajë atë për hir të Zotit. Ai duhet ta vendosë në mendje dhe në zemër që zekati është një detyrim që duhet kryer. Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا أُمِرُوا إِلاَّ لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلاَةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

“Ata nuk ishin urdhëruar për tjetër gjë, veçse të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë, të largohen nga çdo besim i kotë, të falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë”. (El-Bejine, 5)

Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim”.[33] Maliku dhe Shafiu thonë se nijeti duhet të bëhet në kohën kur dorëzohet zekati. Ebu Hanife mbron idenë se qëllimi duhet të bëhet në momentin e pagimit të zekatit ose kur zekati fillon të grumbullohet nga pasuria e dikujt. Ndërsa Ahmedi është i mendimit se është e lejueshme që të shprehësh qëllimin (nijetin) pak kohë përpara pagesës së zekatit.

 

  • Pagimi i zekatit në kohën e caktuar

Zekati duhet të paguhet menjëherë dhe në kohën e tij. Vonesa e pagesës së zekatit është e ndaluar, përveç rastit kur paguesi nuk ëshrtë në gjendje ta bëjë këtë për arsye të forta.

Transmetohet nga Buhariu dhe Ahmedi se Ukbe ibën El Harith ka thënë: “Njëherë unë fala namazin e iqindisë me Profetin (a.s.). Kur e mbaruam namazin, ai shkoi me nxitim në shtëpinë e tij dhe u kthye në çast. Pasi i vuri re fytyrat e habitura, tha: “Kisha lënë në shtëpi një copë floriri që ishte për sadaka dhe nuk doja ta lija asnjë natë në shtëpinë time, kështu që urdhërova ta ndanin”[34].[35]

Shafiu dhe Buhariu (ky i fundit në librin e tij “Et Tarih”) transmetojnë nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gjithmonë kur sadakaja përzihet me ndonjë pasuri, ajo e shkatërron atë pasuri”.[36] I njëjti hadith transmetohet nga El Humejdi me shtesën e mëposhtme: “Nëse ke në pasurinë tënde sadakanë që duhet paguar, atëherë duhet ta lësh mënjanë, përndryshe harami do ta shkatërrojë hallallin”.[37]

 

  • Pagimi i zekatit përpara kohës së tij

Është e lejuar që zekati të paguhet madje dhe dy vjet përpara. Zuhri nuk ka parë ndonjë problem në pagesën e zekatit të tij para mbushjes së haulit (periudhës së caktuar). Njëherë e pyetën El Hasenin për një njeri që e kishte paguar zekatin 3 vjet përpara kohës, nëse e kishte plotësuar apo jo detyrimin e tij. Ai u përgjigj pozitivisht duke e konfirmuar këtë.

Në lidhje me këtë mendim, Sheukani ka thënë: “Ky ka qenë mendimi i Shafiut, Ahmedit dhe Ebu Hanifes. Mbrohej gjithashtu nga El Hadi dhe El Kasim”.

El Muajedbilah pajtohet me këtë ide, si më e mira, por ai thotë që Maliku, Er-Rabia, Sufjan Eth-Theuri, Daudi, Ebu Ubejde ibën El Harith dhe Nasiri, janë të mendimit se detyrimi i atij që e paguan zekatin përpara kohës nuk shlyhet. Ata e kanë formuluar qëndrimin e tyre mbi hadithin e Profetit (a.s.) që tashmë e përmendëm, i cili e cilëson zekatin si të detyrueshëm për paguesin, vetëm kur ky i fundit e zotëron pasurinë e tij për një vit të plotë. Megjithëse kjo nuk e zhvlerëson mendimin e atyre që pagesa e zekatit para kohës është e ligjshme, është e pamohueshme që detyrimi i zekatit është i lidhur me përmbushjen e një viti të plotë. Ndryshimi qëndron vetëm në pikën se shfuqizohet obligimi i një personi nëse paguan zekatin para kohës së përfundimit të nxjerrjes së zekatit.

Ibën Rushdi e përmbledh kështu temën: “Mosmarrëveshjet lindin nga pyetja nëse zekati është një vepër adhurimi apo një detyrim që i dedikohet të varfërit. Grupi që e konsideron atë vepër adhurimi si namazi, nuk bie dakord me pagesën e tij para kohe. Nga ana tjetër, grupi i cili e konsideron atë të njëjtë me rastin e detyrimeve që mund të kryhen në çdo lloj momenti pranon pagimin vullnetar të tij para kohës së caktuar”. Në mbrojtje të mendimit të tij, Shafiu transmeton një hadith nga Aliu (r.a.), se “Profeti (a.s.) kërkoi sadakanë e Abasit përpara kohës së saj të detyrueshme.”[38]

 

  • Lutja për atë që paguan zekatin

Është e pëlqyeshme që marrësi i zekatit të lutet për paguesin e zekatit në kohën e dhënies së tij.

Allahu (xh.sh.) thotë:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِمْ بِهَا وَصَلِّ عَلَيْهِمْ إِنَّ صَلاَتَكَ سَكَنٌ لَهُمْ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’i shtosh

(të mirat) dhe njëkohësisht lutu për të, se lutja jote është qetësim për ta”. (Et-Teube, 103)

Transmetohet nga Abdullah ibën Ebu Aufa se Profeti (a.s.), kur merrte sadakanë thoshte: “O Allah, mëshiroji ata!”. Ai thotë se kur babai i tij dorëzoi sadakanë, Pejgamberi (a.s.) tha: “O Allah! Mëshiroje familjen e Ebu Aufës!”[39] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë.

Uail ibën Huxhër transmeton se Profeti (a.s.) u lut për një burrë që kishte ofruar për zekat një deve të mirë: “Allahu e mëshiroftë atë dhe i dhëntë bereqet në devetë e tij”.[40] Transmeton Nesaiu.

Shafiu thotë: “Sipas këtij hadithi, udhëheqësi duhet të lutet për paguesit e zekatit në kohën e mbledhjes së tij duke thënë: “Allahu ta shpërbleftë për këtë që dhe e të begatoftë në atë që të ka mbetur!”.

 

 

 

PASURITË QË PËRFSHIHEN NË ZEKAT

 

Islami urdhëroi zekatin mbi arin, argjendin, të mbjellat, frutat, mallrat e tregtisë, mineralet dhe xeherorët.

 

  • Zekati për floririn dhe argjendin dhe detyrimi për to

Allahu thotë në lidhje me zekatin mbi floririn dhe argjendin:

وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“Lajmëroi për një dënim të dhemshëm ata që e ruajnë arin dhe argjendin dhe nuk e japin në rrugë të Allahut”. (Et-Teube, 34)

Pra, zekati është i caktuar për floririn dhe argjendin, qofshin ato në monedha, pluhur apo shufra, përderisa sasia e zotëruar përmbush nisabin, ka kaluar koha e një viti, borxhet janë paguar dhe janë siguruar nevojat bazë.

 

Nisabi i floririt dhe pagesa e zekatit të tij

Minimumi i nisabit të floririt është 20 dinarë të poseduar për një vit. Shuma që duhet të jepet është çereku i 1/10 që është e barazvlefshme me ½ dinarë. Për çdo shumë mbi 20 dinarë, jepet gjithashtu çereku i 1/10 për të. Alia (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Nuk ka asnjë përgjegjësi për ju për floririn, derisa të arrijë vlerën e 20 dinarëve. Atëherë nëse keni 20 dinarë në fund të vitit, gjysmë dinari e keni detyrë për ta dhënë nga ato. Për çdo sasi shtesë llogaritet në të njëjtën mënyrë dhe nuk paguhet zekat për një pasuri pa kaluar një vit në pronësi”.[41] Këtë hadith e transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu. Buhariu e cilëson atë autentik dhe El Hafidhi e vlerëson si hasen.

Zuraiku transmeton se Umer ibën Abdulaziz i shkroi atij, pasi u bë kalif: “Merr nga ajo që kalon tek ti nga tregtia e muslimanëve – ato që tregtojnë me pasuritë e tyre, 1 dinar për çdo 40 dinarë. Për atë që ka më pak se 40, llogarite me një sasi më të vogël, derisa sasia të bëhet 20 dinarë. Nëse do të duhet të marrësh 1/3 e dinarit, mos e llogarit dhe mos merr asgjë për të. Pastaj jepu një shkresë për atë që u ke marrë, deri në mbarimin e afatit të një viti”. Kjo është transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe.

Maliku thotë në librin e tij “El-Mua’ta”: “Suneti i pandryshueshëm që ne veprojmë është se, zekati i detyruar mbi 20 dinarë është si zekati i detyruar mbi 200 derhemë”. 20 dinarë janë të barabarta me 4/8 e 28 derhemëve egjiptianë në peshë.

 

Nisabi i argjendit dhe sasia e detyruar

Zekati nuk paguhet për argjendin, derisa sasia e tij të arrijë 200 derhemë. Sasia që paguhet është çereku i 1/10 për çdo sasi. Zekati për monedhat e argjendit jepet vetëm atëherë kur ato arrijnë nisabin.

Aliu (r.a.) transmeton nga Profeti (a.s.) se ai ka thënë: “Unë ju kam falur nga detyrimet e zekatit për kuajt dhe skllevërit. Atëherë paguani zekatin për argjendin, 1 derhem për çdo 40 derhemë. Zekati nuk detyrohet për 90 apo 100 derhemë argjendi. Nëse shuma arrin 200 derhemë, paguhen 5 derhemë”.[42] Ky hadith transmetohet nga autorët e “Suneneve”.

Tirmidhiu transmeton se e ka pyetur Buhariun, nëse e konfirmonte këtë hadith e ai i ka thënë: “Është i vërtetë”. Gjithashtu, Tirmidhiu thotë: “Juristët e dinë se nuk ka zekat për çdo sasi më pak se 5 njësi dhe çdo njësi është e barabartë me 40 derhemë dhe rrjedhimisht pesë njësi janë të barabarta me 200 derhemë”.

 

Kombinimi i floririt dhe argjendit

Nëse dikush zotëron flori dhe argjend, por asnjëri prej tyre nuk e plotëson nisabin, ai nuk duhet t’i kombinojë të dyja në mënyrë që të plotësojë nisabin. Kjo, pasi ato nuk janë të të njëjtit lloji. Rregulli bazë është se asnjë kategori nuk kombinohet (përzihet) me një tjetër. E njëjta gjë është edhe për lopët dhe delet. Për shembull, nëse dikush ka 199 derhemë dhe 19 dinarë, nuk paguan zekat për to.

 

  • Zekati mbi borxhet

Borxhet ndahen në dy lloje:

1- Borxhi i njohur nga borxhliu me dëshirën për ta paguar atë.

2- Një borxh që nuk njihet, pasi ai që e ka marrë është i paaftë për ta paguar dhe për arsyen tjetër që pagesa e tij është shtyrë për më vonë.

Për rastin e parë dijetarët kanë dhënë mendimet e mëposhtme:

Mendimi i parë: Aliu, El Theuri, Ebu Thaur, hanefitë dhe hanbelitë mbrojnë idenë se ai që ka dhënë të hollat për borxh duhet të paguajë zekat edhe për borxhet, por nuk është i detyruar të japë zekatin për to derisa t’i kthehen në pronësi dhe atëherë ai e jep zekatin për periudhën e kaluar.

Mendimi i dytë: Othmani, Ibën Umeri, Xhabiri, Taus, Nehai, El Hasan, Zuhri, Katade dhe Shafiu kanë mendimin se ai që jep borxh duhet të paguajë zekat mbi vlerën e borxhit të dhënë hua pa vonesë dhe nëse ai nuk e ka marrë atë ende, përderisa ka mundësi ta marrë dhe do ta përdorë atë. Është e njëjta gjë si në zekatin e çdo gjëje të depozituar.

Mendimi i tretë: Ikrime, Aishja dhe Ibën Umeri janë të mendimit se nuk duhet të paguhet zekat mbi borxhet, përderisa ato nuk rriten. Është e njëjta gjë me rastin e pasurisë së lënë trashëgimi.

Mendimi i katërt: Seid ibën El Musejeb dhe Ata’ ibën Ebu Rabah ndajnë idenë që zekati duhet të paguhet për një vit, në qoftë se borxhi i kthehet kreditorit.

Për rastin e dytë Katade, Is’haku, Ebu Thauri dhe hanefitë ndajnë idenë se zekati i borxhit nuk është i detyrueshëm për këtë lloj borxhi, përderisa kreditori nuk ka mundësi të përfitojë nga ai. El Thauri dhe Ebu Ubajde kanë mendimin se pas marrjes në dorëzim, kreditori duhet të paguajë zekatin me prapaveprim, përderisa ai mund ta përdorë atë lirisht, si zekati mbi borxhet e një personi të pasur. Në lidhje me këtë çështje janë përcjellë nga Shafiu dy mendime. Umer ibën Abdulazizi, El Hasani, El Lejthi, Euzai dhe Maliku janë të mendimit që ai duhet ta paguajë zekatin mbi borxhin vetëm për një vit, nga momenti kur e merr atë.

 

  • Zekati i letrave me vlerë dhe i bonove të thesarit

Meqë ato janë dokumente kredite të garantuara, letrat me vlerë dhe bonot e thesarit trajtohen për zekat, përderisa përmbushin minimumin e nisabit, që do të thotë se një person mund ta kthejë vlerën e tyre në argjend menjëherë.

 

  • Zekati për stolitë e çmuara

Dijetarët janë të një mendimi se nuk duhet të paguhet zekati për diamantët, perlat, safiret, rubinët, koralet, kristalet ose çdo lloj tjetër të gurëve të çmuar, duke përjashtuar rastin kur ato tregtohen. Atëherë duhet të paguhet zekati i tyre. Përbën diskutim çështja e stolive prej floriri dhe argjendi të grave (nësë bëjnë apo jo përjashtim).

Ebu Hanife dhe Ibën Hazmi[43] janë të mendimit se zekati është i detyrueshëm për stolitë e arit dhe argjendit, përderisa ato përmbushin nisabin. Mendimi i tyre është bazuar mbi transmetimin e Amër ibën Shuajbit nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij se: “Dy gra me byzylykë floriri në kyçet e dorës shkuan te Profeti (a.s.) dhe ai u tha: “A doni që Allahu t’ju vërë byzylykë prej zjarri në ditën e gjykimit?” Ato iu përgjigjën: “Jo!” Pastaj ai tha: “Atëherë paguani zekatin për ato që mbani në kyçe”.[44]

Në të njëjtën mënyrë transmeton Esmaja, e bija e Jezidit: “Tezja ime dhe unë shkuam te Profeti (a.s.) dhe kishim vënë në dorë byzylykë ari. Ai na pyeti nëse e kishim paguar zekatin e tyre dhe ne i thamë se nuk e kishim paguar. Atëherë Profeti (a.s.) tha: “A nuk keni frikë se mos Allahu ju vë byzylykë prej zjarri? Paguajeni zekatin e tyre!”[45] El Hejthemi konfirmon se ky hadith është transmetuar nga Ahmedi nëpërmjet një zinxhiri të besueshëm transmetimi.

Aishja (r.a.) transmeton: “I Dërguari i Allahut erdhi tek unë dhe vuri re që mbaja unaza argjendi. Pas kësaj më pyeti: Çfarë është kjo Aishe?” Unë iu përgjigja: “I bëra për të zbukuruar veten për ty, o i Dërguar i Allahut”. Ai tha: “A e ke paguar zekatin e tyre?” Unë i thashë: “Jo!” Pastaj ai m’u drejtua dhe më tha: “Do të ishte i mjaftueshëm vetëm shkaku i mospagimit të zekatit të tyre për t’u dënuar në zjarr”.[46] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi, Darakutni dhe Bejhakiu.

Maliku, Shafiu dhe Ahmed ibën Hanbeli mbrojnë idenë se nuk ka zekat për stolitë e grave, pavarësisht nga sasia e tyre. Bejhakiu transmeton se e pyetën njëherë Xhabir ibën Abdullahun nëse duhej të jepej zekat për stolitë apo jo. Ai tha se jo. I thanë:  “Edhe nëse vlera e tyre kalon mbi 1000 dinarë?” Xhabiri tha: “Madje edhe më tepër”.[47]

Po ashtu, Bejhakiu transmeton rastin e Esmasë, bijës së Ebu Bekrit, e cila e kishte zakon t’i zbukuronte vajzat e saj me flori. Megjithëse vlera e tij mund të kalonte 50000 dinarë, ajo nuk paguante zekat për to.[48]

Transmetohet në librin “El Mua’ta” nga Abdurrahman ibën El Kasim, i cili transmeton nga i ati se Aishja kujdesej për mbesat e saj jetime që kishte nën kujdestari dhe i zbukuronte ato me stoli, pa e paguar zekatin e tyre.[49] Gjithashtu në “El Mua’ta” transmetohet se Abdullah ibën Umeri i zbukuronte vajzat e tij dhe robinjat me flori pa e paguar zekatin e tyre.[50]

Duke e përmbledhur këtë temë, El Hatabi përfundon: “Ajo çka është objektive në Kuran[51] mbron mendimin e atyre që mendojnë se zekati për arin dhe argjendin është i detyrueshëm dhe gjithashtu transmetimet e mbrojnë këtë. Ata që nuk e konsiderojnë atë të detyrueshëm e bazojnë mendimin e tyre në spekullime dhe në disa transmetime. Megjithatë, për të qenë të sigurt është mirë të paguash”.

Këto ndryshime në mendime kanë të bëjnë me zbukurime të lejuara prej ari dhe argjendi. Ndërsa për zbukurime të tjera që janë të ndaluara, siç është mbajtja e zbukurimeve të një burri si shpata apo diçka tjetër nga një grua, zekati i tyre duhet paguar. Është i njëjti ligj që zbatohet për enët prej ari dhe argjendi.

 

  • Zekati për pajën (mehrin) e nuses

Ebu Hanife është i mendimit se nuk duhet paguar zekat mbi pajën e nuses, derisa ajo ta ketë në zotërim atë. Njëkohësisht, paja pasi të jetë në pronësi duhet të plotësojë nisabin në fund të vitit. Do të ishte gjë tjetër, nëse gruaja ka grumbulluar një nisab tjetër, përveç pajës së saj. Në këtë rast, çdo shumë që ajo merr duhet t’i shtohet nisabit dhe zekati duhet të paguhet në fund të vitit për pasurinë që ajo zotëron. Shafiu mbështet idenë se gruaja duhet ta paguajë zekatin e pajës së saj në fund të vitit edhe para martesës. Mundësia e kthimit është për shkak të shfuqizimit ose 50% e kthimit të parave në rast divorci, por dhe kjo nuk e përjashton atë nga dhënia e zekatit. Hanbelitë janë të mendimit se paja është një kredit për gruan siç janë borxhet. Nëse marrësi i pajës është i pasur, pagimi i zekatit është i detyrueshëm dhe kur ta marrë në pronësi e jep zekatin për periudhën e kaluar. Nëse marrësi është i paaftë për të paguar ose nuk ka njohuri rreth pagimit të zekatit, atëherë sipas Hirakiut zekati përsëri është i detyrueshëm, pavarësisht nëse është para apo pas martesës. Nëse një grua merr ½ e pajës në rast të divorcit të saj para martesës, ajo duhet të paguajë zekatin vetëm mbi gjysmën që ka marrë. Gjithashtu, në qoftë se e gjithë paja është anuluar përpara se ajo ta marrë atë, (në rast anulimi të martesës mbi përgjegjësinë e saj), ajo nuk është e detyruar ta paguajë atë.

 

  • Zekati mbi qeranë e shtëpisë

Ebu Hanife dhe Maliku janë të mendimit se qeraja nuk i paguhet pronarit në kohën e kontratës, por në përfundimin e periudhës së qerasë. Për këtë, pronari që jep me qera një shtëpi duhet të paguajë zekat mbi qeranë e shtëpisë së tij, nëse sasia e caktuar plotëson kushtet e mëposhtme:

– marrja e parave

– plotësimi i nisabit në fund të vitit.

Hanbelitë thonë se pronari ka të drejtë ta harxhojë qeranë në mënyrën që dëshiron. Mundësia e anulimit të kontratës së qerasë nuk e zhvlerëson detyrimin për të paguar zekatin. Ky rast është i ngjashëm me rastin e pajës para mbarimit të martesës. Nëse qeraja është një qera e prapambetur, atëherë ajo duhet të trajtohet si një borxh i paguar ose i shtyrë. Në librin “El-Maxhmu”, imam Neveviu thotë: “Nëse dikush lidh një kontratë për një shtëpi dhe paguhet përpara afatit, ai duhet ta paguajë zekatin e tij kur ta marrë atë. Kjo është e pakundërshtueshme”.

 

  • Zekati mbi tregtinë

Shumica e dijetarëve prej sahabëve, tabi’inëve[52] dhe juristëve të mëvonshëm janë të mendimit se zekati mbi tregtinë[53] është i detyrueshëm. Ebu Daudi dhe Bejhakiu transmetojnë se Semure ibën Xhundub ka thënë: “Profeti (a.s.) na urdhëronte të paguanim sadaka nga ato që kishim për të shitur”.[54]

Darakutni dhe Bejhakiu kanë thënë se Ebu Dherri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “…ka sadaka mbi devetë, delet, lopët dhe mobiljet e shtëpisë”.[55]

Shafiu, Ahmedi Ebu Ubejde, Darakutni, Bejhakiu dhe Abdurezaku transmetojnë se Ebu Amr ibën Hamasi ka transmetuar nga babai i tij se ka thënë: “Unë shisja lëkurë dhe enë. Njëherë Umer ibën Hatabi kaloi pranë meje dhe tha: “Paguaj sadakanë mbi pronën tënde”. Unë i thashë: “O prijës i besimtarëve! Po kjo është lëkurë”. Ai u përgjigj: “Vlerësoje (çmoje) dhe paguaj sadakanë që detyrohesh për të”.[56]

Duke komentuar mbi besueshmërinë e tij, Ibën Kudame thotë në “El Mugni” se kjo është një ngjarje e njohur dhe e pakundërshtueshme. Ky duhet të jetë një mendim konsensual.

Nga ana tjetër, dhahiritë kanë mendimin se tregtia nuk është temë për zekat. Ibën Rushdi thotë se ata kanë mendime të ndryshme, për shkak të logjikës së tyre analoge rreth obligimit të zekatit dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre mbi vërtetësinë e hadithit të Semures dhe Ebu Dherrit.

Megjithatë, shumica e juristëve e shohin tregtinë si një pronë që rritet në vlerë. Kështu që me analogji është e njëjtë me ato tre kategori, me të cilat zekati duhet të paguhet: të mbjellat, kafshët, ari dhe argjendi.

Në “El Manar” thuhet se shumica e dijetarëve bien dakord mbi zekatin e tregtisë, megjithëse nuk ka tekst të qartë në Kuran dhe Sunet për këtë temë, përveç faktit se një numër transmetimesh vërtetojnë njëri-tjetrin, sipas fakteve që sigurohen nga tekstet e tyre. Logjika e tyre është se, përderisa tregtia është një formë të ardhurash, nuk ka ndryshim midis saj dhe dinarëve apo derhemëve përsa i përket vlerësimit. Kjo do të thotë që forma e nisabit mund të ndryshojë midis vlerës në para dhe asaj që vlerësohet në formën e tregtisë. Nëse zekati nuk do të kishte qenë i detyrueshëm mbi tregtinë, të pasurit ose shumica e tyre do t’i kishin kthyer paratë e tyre në mallra për arsye tregtimi, duke u siguruar që nisabi i floririt dhe i argjendit të mos zotërohej nga ata për një vit.

Gjëja më e rëndësishme këtu është që me anë të vjeljes së zekatit nga të pasurit, Allahu i Madhëruar dëshiron që ta ndihmojë të varfërin dhe të nxisë mirëqënien e njerëzve në përgjithësi. Për të pasurit e mira e tyre qëndron në pastrimin e veteve të tyre dhe të kopracisë, si në para, ashtu edhe në ndjenja. Kështu ata do ta ndihmonin shtetin dhe umetin. Për të varfërin, dobia është lehtësimi i rrethanave. Në këtë mënyrë zekati eleminon arsyet e korrupsionit që rezulton nga rritja e madhe e pasurisë në pak duar (monopolet). Kjo është një urtësi, të cilës Kurani i referohet, kur bën fjalë për shpërndarjen e plaçkës së luftës. Allahu (xh.sh.) thotë:

 

مَا أَفَاءَ اللَّهُ عَلَى رَسُولِهِ مِنْ أَهْلِ الْقُرَى فَلِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ

السَّبِيلِ كَيْ لاَ يَكُونَ دُولَةً بَيْنَ الأَغْنِيَاءِ مِنْكُمْ وَمَا آتَاكُمْ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Atë që Allahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon Allahut, të dërguarit, të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet në mes pasanikëve tuaj. Çka ju jep pejgamberi, atë e merrni dhe çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Ai është ndëshkues i ashpër”. (El-Hashr, 7)

Për këtë arsye nuk është e logjikshme të përjashtohen biznesmenët nga detyrimet e tyre shoqërore, në rastin kur ata kanë në dorë shumicën e pasurisë së umetit.

 

Kur konsiderohen mallrat si mallra tregtarë?

Autori i librit “El-Mugni”[57] pohon se tregtia nuk mund të konsiderohet tregti mallrash vetëm për dy arsye:

1-Posedimi aktual i tregtisë është përftuar nga veprime të tilla si marrëveshjet tregtare, martesa, kërkesa e divorcit nga gruaja, pranimi i një dhurate, trashëgimia, plaçkë lufte dhe përfitime të tjera ligjore. Kjo, pasi ajo që nuk është temë e zekatit, nuk mund të konsiderohet e tillë dhe një gjë e tillë nuk bëhet vetëm nëpërmjet nijetit siç është rasti i agjërimit. Nuk ka ndonjë ndryshim, nëse dikush posedon mallra të tillë nga blerja apo nga trashëgimia që i është lënë.

2-Mallrat janë të destinuara për tregti në momentin e posedimit. Këto konsiderohen mallra jotregtarë, edhe nëse personi ka për qëllim t’i përdorë ato për tregti më vonë. Megjithatë, nëse ai i posedon këto mallra nga trashëgimia dhe ka për qëllim t’i tregtojë, ato nuk konsiderohen mallra tregtie, pasi faktori përcaktues në këto raste është statuti i fitimit dhe jo gjendja e përkohshme e tregtisë. Vetëm qëllimi nuk siguron një arsye të vlefshme për të ndryshuar statutin e saj. Për shembull, nëse dikush ka për qëllim të udhëtojë, atëherë vetëm shprehja e qëllimit të tij nuk do të përbënte aktin e udhëtimit. Po kështu, nëse një person ka blerë mallra për tregti dhe pastaj ka për qëllim t’i mbajë për vete, duhet të konsiderohen për konsumim vetjak dhe për to nuk paguhet zekat.

 

Si paguhet zekati mbi të ardhurat e tregtisë?

Çdo njeri që zotëron mallra tregtie në sasinë e nisabit për një vit, duhet të paguajë zekat, sasia e të cilit është sa çereku i 1/10-ës së vlerës së tij. Kjo duhet të bëhet nga një biznesmen çdo vit. Megjithatë, periudha prej një viti nuk ka vlerë në rast se nuk përmbushet nisabi.[58] Nëse një biznesmen zotëron mall në vlerën që nuk e arrin nisabin dhe një pjesë e vitit ka kaluar, inventari i tij i mëvonshëm rritet me një rritje në vlerë të pazakontë (si pasojë e kërkesës dhe furnizimit ose përmes luhatjes së çmimeve) në mënyrë të tillë që përbën një nisab; ose ai e ka shitur mallin me çmimin e nisabit; ose gjatë kohës së një viti ai posedon mallra të tjera tregtie, të cilat bashkë me sasinë e mëparshme plotësojnë nisabin; atëherë hauli (periudha e zekatit) fillon në këtë kohë dhe koha e kaluar nuk merret parasysh. Ky është mendimi i hanefive, El Thaurit, Shafiut, Is’hakut, Ebu Ubejdes, Ebu Thaurit dhe Ibën El Mundhirit.

Sipas Ebu Hanifes, nëse malli i zotëruar përbën një nisab si në fillim ashtu edhe në fund të vitit, zekati do të praktikohet, edhe nëse do të ketë rënie gjatë kësaj kohe. Arsyeja e kësaj është vështirësia për të siguruar plotësimin e tij në periudhën e kaluar. Hanbelitë kanë mendimin se, nëse malli ulet gjatë vitit dhe ngrihet përsëri derisa potëson nisabin, periudha e nevojshme e një viti fillon nga fillimi, pasi është ndërprerë nga rënia.

 

 

 

  • ZEKATI MBI BIMËT DHE FRUTAT

 

Zoti na e ka bërë detyrë zekatin për të mbjellat dhe frutat, kur thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ …

“O ju që besuat! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës”. (El-Bekare, 267)

Zekati quhet shpenzim (nafakah). Duke dhënë arsyen e pagesës së zekatit mbi prodhimin, Allahu i Madhëruar thotë: “…. hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojtarëve) dhe mos e teproni…”. Në shpjegimin e fjalës “hak” në ajetin pararendës, Ibën Abasi thotë që me fjalën “hak” nënkuptohet si detyrimi i zekatit, ashtu dhe 1/10 (el-ushr) dhe ½ e të dhjetës.

 

Zekati mbi të mbjellat dhe frutat në kohën e Profetit (a.s.)

Gjatë kohës së Profetit (a.s.) zekati paguhej për grurin, elbin, hurmat dhe rrushin e thatë. Ebu Burdah transmeton nga Ebu Musa dhe Muadhi, se kur i Dërguari i Allahut i dërgoi në Jemen t’u mësonin jemenasve Islamin, ai i urdhëroi ata të merrnin zekatin, përveç katër llojeve: grurin, elbin, hurmat dhe rrushin e thatë.[59] Ky hadith transmetohet nga Darakutni, Hakimi, Tabaraniu dhe Bejhakiu. Madje Bejhakiu, kur flet për statutin e transmetimit të këtij hadithi thotë se zinxhiri i tij është muttasil (i pandërprerë) dhe transmetuesit janë të besueshëm.

A duhet konsideruar sadakaja e detyrueshme apo jo?

Ibën El Mundhiri dhe Ibën Abdulberri thonë se dijetarët janë të mendimit se

sadakaja është e detyrueshme për artikujt e tillë si gruri, elbi, hurmat dhe rrushi i thatë. Ky mendim i ka rrënjët në thënien e Ibën Maxhes, se Pejgamberi (a.s.) e bëri rregull zekatin e grurit, elbit, hurmave, rrushit të thatë dhe misrit.[60] Një prej transmetuesve në zinxhirin e këtij hadithi është Muhamed ibën Ubejdullah El Arzemi, të cilin dijetarët e shohin si të lënë anash dhe si i tillë transmetimi i tij nuk merret parasysh.

 

Bimët dhe frutat për të cilat nuk merret zekat

Zekati nuk merret për perimet ose frutat, me përjashtim të rrushit dhe hurmave të freskëta. Ata’ ibën Es Saibi transmeton se Abdullah ibën El Mugire dëshironte të merrte sadaka për perimet e Musa ibën Talhas. Ky i fundit kundërshtoi duke thënë: “Nuk ke të drejtë ta bësh këtë. I Dërguari i Zotit ka thënë se nuk ka sadaka për perimet”.[61] Ky hadith transmetohet nga Darakutni, Hakimi dhe El Athrami në librin e tij “Es-Sunen”. Ky hadith është mursel.

Musa ibën Talha thotë: “Pesë gjëra që trajtoheshin për zekat përmendeshin nga i Dërguari i Allahut: elbi, gruri, sulti (një lloj drithi pa lëvore), rrushi i thatë dhe hurmat. Çfarëdolloj gjëje tjetër që prodhon toka, nuk hyn në 1/10 (el-ushr)”. Ai (Musa ibën Talha) gjithashtu thotë se Muadhi nuk mblodhi sadaka për perimet”.[62]

Bejhakiu thotë për statutin e këtyre transmetimeve se të gjitha këto hadithe janë të llojit mursel, por të përcjella nga burime të ndryshme. Megjithatë, ata konfirmojnë njëri-tjetrin. Ky hadith përmban thënien e Aliut, Umerit dhe Aishes për këtë temë.

El Athrami tregon se një nga guvernatorët e kalifit Umer i shkroi atij rreth plantacioneve të rrushit, përfshi pjeshkë dhe shegë që prodhonin dyfishin e vjeljeve të rrushit. Ai iu përgjigj: “Nuk ka 1/10 (el-ushr) për to”. Ata janë artikuj që nuk trashëgohen.[63] Tirmidhiu bie dakord me këtë dhe thotë: “Në bazë të këtij parimi veprojnë dijetarët” .[64]

Këtë e mbështet gjithashtu edhe El Kurtubi, i cili është i mendimit se zekati nuk merret për prodhimet e tokës që përdoren si ushqim i vazhdueshëm dhe për perimet. Në Taif rriteshin shegë, pjeshkë dhe agrume dhe nuk ka ndonjë konfirmim që Profeti (a.s.) dhe kalifët pas tij të mblidhnin zekat për to.

Ibën El Kajimi sqaron se nuk ishte praktikë e Profetit (a.s.) të mblidhte zekat për kuajt, skllevërit, mushkat, gomerët dhe për perimet: pjeprin, kastravecat dhe frutat që nuk mund të ruhen ose të maten me rendiment. Përjashtim bënin rrushi dhe hurmat e freskëta. Për këto dy lloje, zekati mblidhej në tërësi, pa dallime në ishin të thata apo jo.

 

Mendimi i juristëve

Nuk ka dallime mendimesh mes juristëve për detyrimin e zekatit për të mbjellat dhe

frutat, por ata kanë mendime të ndryshme për llojin e bimëve dhe frutave për të cilat jepet zekat. Më poshtë do trajtojmë spektrin e gjerë të mendimeve për këtë temë.

Hasan El Basriu dhe Shabiu thonë se zekati është i detyrueshëm mbi çdo lloj që është theksuar me tekst. Këtu bëjnë pjesë gruri, elbi, misri, hurmat dhe rrushi i thatë. Për të tjerat nuk ka tekst që flasin për zekatin e tyre. Sheukani e ka konsideruar këtë si mendimin e vërtetë.

Ebu Hanife mbron idenë se zekati është i detyrueshëm mbi çdo produkt të tokës, përfshi edhe perimet, duke përjashtuar çfarë nuk është mbjellë dhe kultivuar me dëshirë siç është: druri i zjarrit, bambuja, bari dhe pemët që nuk nxjerrin fruta. Mendimi i tij bazohet mbi kuptimin e përgjithshëm të thënies së Profetit: “Për çfarë ujit qielli (shiu), jepet 1/10”.[65]

Kuptimi është i përgjithshëm dhe i përfshin të gjitha llojet e prodhimeve të kultivueshme që mbillen për të rritur pjellorinë e tokës dhe për këtë i referohet praktikave bujqësore të ngjashme me rritjen e drithërave.

Ebu Jusufi dhe Muhamedi mbështesin mendimin se zekati paguhet për çdo produkt të tokës, me kusht që të zgjasë gjithë vitin pa shumë kujdesje dhe trajtime. Kjo përfshin prodhimet e matura me rendiment, siç janë drithërat ose me masë siç janë pambuku dhe sheqeri. Nëse produkti nuk zgjat për një vit të plotë, siç janë llojet e kastravecit, shalqirit etj., për ato nuk ka zekat.

Maliku është i mendimit që zekati paguhet për atë që prodhohet në tokë dhe qëndron, thahet e mbillet nga njerëzit. Kjo përfshin prodhimet e tokës të përdorura si ushqim që qëndrojnë gjatë si gruri dhe elbi ose që nuk përdoren si ushqim si luledielli dhe farat e susamit. Sipas tij nuk paguhet zekat për perimet dhe frutat si fiku, shegët dhe mollët. Shafiu mbron idenë se zekati paguhet mbi çdo prodhim, frutat e të cilit përdoren si ushqim i rregullt, i cili mund të ruhet dhe mbillet nga njerëzit siç janë drithërat.

Neveviu është i mendimit se nuk ka zekat për pemët e tjera, përveç palmës (hurmës) dhe hardhisë dhe se nuk paguhet zekat për drithërat, përveç atyre që përdoren për ushqim dhe mund të ruhen. Po ashtu, ai thotë se nuk ka zekat për perimet. Nga ana tjetër, Ahmedi mendon se zekati është për çdo gjë që Allahu nxjerr nga toka, siç janë drithërat dhe frutat. Ato mund të jenë të thara, të ruajtura, të matura dhe të mbjella nga njerëzit, qofshin ushqime që qëndrojnë gjatë si gruri, fasulet, bizelet, thjerrëzat dhe drithra të tjera si këto ose erëzat dhe barërat si bari i gjumit, fara e lirit, fara e dy llojeve të kastravecit, farat e susamit etj.

Sipas Ahmedit, zekati paguhet për frutat e thara si hurmat, rrushi thatë, fiqtë, kajsitë, bajamet dhe lajthitë, nëse ato u përshtaten veçorive të përmendura më sipër. Zekati nuk paguhet për frutat e freskëta si pjeshkët, dardhat, mollët, kajsitë dhe fiqtë. Në të njëjtën mënyrë zekati nuk është i detyrueshëm për perimet, si dy llojet e kastravecit, shalqiri, patëllxhani, rrepa dhe karrota.

 

  • Zekati për ullinjtë

Imam Neveviu thotë: “Përsa i përket ullinjve, mendimi ynë (i shafive) është se

nuk ka zekat për to”. Ky është mendimi i Hasan ibën Salih, Ibën Ebu Lejlës dhe Ebu Ubejdes.

Dijetarët si Zuhri, El Lejthi, Euzai, Maliku, El Theuri, Ebu Hanife dhe Ebu Thauri janë të mendimit se ullinjtë përfshihen në zekat. Zuhri, El Lejthi dhe Euzai janë të mendimit se duhet përcaktuar sasia e tij me hamendje dhe më pas mblidhet zekati i tij në formën e vajit të ullirit. Ndërsa Maliku thotë: “Nuk ka nevojë të llogaritet sasia e tij me hamendje; merr të dhjetën që vjen prej ullinjve të shtypur, derisa të arrish peshën 5 evsuk”.[66]

 

Origjina e mendimeve të ndryshme rreth zekatit për bimët dhe frutat

Ibn Rushdi na informon rreth ndryshimeve për pagesën e zekatit, përsa i përket bimëve dhe frutave duke thënë: “Ndryshimi i mendimeve qëndron në faktin se disa juristë e kufizojnë pagesën e zekatit vetëm për ato artikuj, për të cilat kemi rënë dakord në përgjithësi, ndërsa të tjerë shkojnë më tej duke përfshirë gjithashtu edhe frutat e thara. Thelbi i çështjes është se çfarë i klasifikon katër artikujt e ngrënshëm (gruri, elbi, hurma dhe rrushi i thatë) për zekat? A janë ato temë e zekatit, pasi janë të tilla apo për shkak të rëndësisë së tyre të veçantë që kanë për jetën? Ata që pajtohen me pikëpamjen e parë, e kufizojnë zekatin për katër artikujt e ngrënshëm, ndërsa ata që pajtohen me pikëpamjen e dytë e zgjerojnë detyrimin për të gjitha prodhimet e tokës, përveç barit, drurit të zjarrit dhe bambusë”.

Ka një konsensus për përjashtimin e këtyre të fundit nga zekati, megjithatë kur është fjala për një analogji të bazuar mbi një qëndrim të përgjithshëm, të dy grupet janë të lëkundur. Profeti (a.s.) ka përdorur një mënyrë përgjithësimi, kur ka thënë: “Për çfarë ujitet nga qielli jepet 1/10 dhe për çfarë është vaditur jepet gjysma e një të dhjetës”.[67]

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَهُوَ الَّذِي أَنْشَأَ جَنَّاتٍ مَعْرُوشَاتٍ وَغَيْرَ مَعْرُوشَاتٍ وَالنَّخْلَ وَالزَّرْعَ مُخْتَلِفًا أُكُلُهُ وَالزَّيْتُونَ وَالرُّمَّانَ مُتَشَابِهًا وَغَيْرَ مُتَشَابِهٍ كُلُوا مِنْ ثَمَرِهِ إِذَا أَثْمَرَ وَآتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ …

“është Ai që ka krijuar kopshte, thurima të larta dhe të shtruara, hurma dhe bimë, me shije të ndryshme, ullinj e shegë, të ngjashme dhe të ndryshme. Hani frutat e tyre kurdo që të prodhojnë dhe jepni atë që është detyrë në ditën e vjeljes së tyre! Por mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë!”. (El-En’am, 141)

Duke folur në mënyrë analogjike, zekati synon t’i kundërvihet varfërisë dhe kjo nuk mund të arrihet përmes zekatit për prodhimin tokësor që është i ngrënshëm dhe jetësor, por për prodhimet shtesë.

Kufizimi i një thënieje të përgjithshme me këtë lloj logjike indirekte e zhvlerëson zekatin mbi të gjitha produktet e tokës, përveç atyre që janë jetike. Ata që ndjekin rëndësinë e përgjithshme të thënies së Profetit (a.s.), u shtojnë diçka më tepër katër artikujve përgjithësisht të njohur. Sigurisht, bëjnë përjashtim ata artikuj, për të cilët ka një konsensus. Përsëri ata që bien dakord me prodhimet jetike të tokës, shpesh ndahen në mendime, nëse mund të konsiderohen jetësore apo jo ato prodhime. A mund të jetë të menduarit analogjik baza, mbi të cilën ata bien dakord ose jo? Një shembull i një mosmarrëveshjeje të tillë është ajo e Malikut dhe Shafiut, përsa i përket ullinjve. Maliku mbron idenë se zekati për ullinjtë është i detyrueshëm, ndërsa Shafiu është kundër këtij mendimi, sipas një mendimi të tij të fundit të shprehur në Egjipt. Arsyeja e mospranimit të tij është dyshimi nëse ullinjtë mund të konsiderohen apo jo si ushqim vital për jetën.

 

Nisabi për bimët dhe frutat

Shumica e dijetarëve thonë se nuk ka zekat për bimët dhe frutat, derisa ato të arrijnë sasinë 5 evsuk. Për më tepër kjo aplikohet vetëm pasi hiqet byku, kashta dhe lëvorja. Nëse nuk është pastruar nga lëvoret, atëherë sasia e nisabit të zekatit duhet të jetë 10 evsuk. Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka sadaka (zekat) për atë që është më pak se pesë evsuk”.[68] Transmetohet nga Ahmedi dhe Bejhakiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka sadaka për çfarëdolloj sasie të hurmave ose drithërave më pak se pesë evsuk”.[69]

Një evsuk me konsensus është i barabartë me 60 sa’a (masë kubike që varion në përmasa. Më lartë, në hadith, është përmendur se një sa’a është e barabartë me 3 kg).[70] Ky hadith mendohet të jetë me zinxhir të shkëputur (munkat’i).

Ebu Hanife dhe Muxhahidi janë të mendimit se zekati është një detyrë për çdo sasi, të vogël ose të madhe në përputhje me thënien e Profetit (a.s.): Për çka ujit qielli jepet një e dhjeta”.

Kjo, pasi prodhimi i tokës dëmtohet me kalimin e kohës dhe nuk mund të ruhet për një vit të tërë. Në këtë rast, një prodhim i tillë nuk e arrin nisabin në një periudhë njëvjeçare.

Ibën El Kajimi, duke diskutuar rreth kësaj çështjeje, ka thënë: “Tradita profetike është shumë e qartë në përcaktimin e të dhjetës së nisabit  me pesë evsuk dhe kjo shpjegohet në hadithin: “Nga ajo që ujit qielli jepet një e dhjeta dhe nga ajo që ujitet (me enë, kovë, etj.) jepet gjysma e të dhjetës”.[71]

Kjo aplikohet si për sasi të vogla, ashtu edhe për të mëdha, ndryshe nga sasia specifike e përmendur në një hadith tjetër. Në aplikimin e tij, një thënie e përgjithshme është aq e rëndësishme, po edhe sa një thënie specifike. Duhet të ketë një përballim midis të dyjave dhe të aplikohet ajo që është më e përshtatshmja. Ky është rregulli që duhet ndjekur”.

Është thënë që të dy hadithet pararendës duhen ndjekur. Në thelbin e tyre, hadithet nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk e shfuqizon tjetrin. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Nga ajo që ujit qielli jepet një e dhjeta…” Kjo thënie bën dallimin ndërmjet dy kategorive: atë për të cilën jepet një e dhjeta dhe atë për të cilën detyrohet ½ e të dhjetës. Për këtë ai bëri dallimin midis dy kategorive, vetëm përsa i përket sasisë së detyrueshme. Nuk është përmendur asnjë sasi nisabi në këtë hadith. Megjithatë ai e ka trajtuar hapur në një hadith tjetër, i cili nuk mund të injorohet si diçka e përgjithshme ose që mendohet për të qenë e tillë dhe jo tjetërsoj.

Kjo është e ngjashme me thëniet e tjera me rëndësi të përgjithshme që janë shpjeguar në këtë tekst. Ibën Kudame nxjerr përfundimin: “Është rënë dakord me thënien e Profetit (a.s.) se nuk ka sadaka (zekat) për çdo gjë më pak se 5 evsuk. Ky hadith është specifik dhe për këtë merr përparësi dhe sqaron thëniet e mëparshme të një rëndësie të përgjithshme. Kjo është e njëjtë me thënien e tij, që zekati është i detyrueshëm për të gjitha devetë që kullosin lirshëm, e cila sqarohet nga thënia tjetër e tij mbi të njëjtën temë: “Nuk ka sadaka (zekat) për çdo gjë më pak se 5 Dheude[72]”.[73]

Thënia tjetër e tij: “Sadakaja për argjendin është ¼ e të dhjetës”[74] specifikohet nga një thënie e mëvonshme: “Nuk ka sadaka për sasi më pak se 5 evak”.[75] Për këtë është e mundur të kesh pasuri që klasifikohen për zekat, por mbi të cilat nuk paguhet taksë.

Kur është fjala për prodhimin e tokës, zotërimi i një pasurie për një vit nuk mund të përdoret si kriter, pasi rritja e tyre plotësohet në kohën e të vjelave dhe jo gjatë kohëzgjatjes së tyre për një vit.

Megjithatë, zotërimi i pasurisë llogaritet për mallra veç nga prodhimi i tokës, përderisa përgjithësisht pranohet që deri në fund të vitit ato duhet të jenë rritur plotësisht. Parimi për të plotësuar nisabin për ndonjë pronë të caktuar, bazohet në të kuptuarit që nisabi është një sasi e mjaftueshme për t’u trajtuar si temë e zekatit. Kjo shpjegohet duke përmendur faktin se sadakaja është e detyrueshme për të pasurit, kur është plotësuar nisabi që rrjedh nga posedimet e tyre. Për produktin që nuk mund të matet, por klasifikohet për zekat përdoret njësia matëse sa’a. Një sa’a është një masë e barabartë me 1 e 1/3 e kupës. Për këtë një nisab është i barabartë me 50 kajla.[76]

Për prodhimin që nuk mund të matet, Ibën Kudame thotë: “Nisabi i pambukut, shafranit dhe artikujve të tillë duhet të matet deri në 1.600 paund irakienë. Në këtë mënyrë pesha e tij është e vlefshme.

Ebu Jusufi është i mendimit se, nëse prodhimi nuk mund të matet, zekati për të nuk mund të mblidhet kur vlera e tij arrin nisabin në standartin më të ulët të masës. Kështu, zekati nuk mblidhet për pambukun, derisa vlera e tij të arrijë 5 evsuk të një artikulli me vlerë më të ulët të matur si për shembull elbi etj. Kjo, pasi është e pamundur për të matur artikullin në vetvete, përveçse me çmimin më të ulët të dy nisabëve. Sipas Muhamed ibën El Hasanit, prodhimi duhet të arrijë pesëfish të vlerës më të madhe të llojit të tij për t’u përfshirë në zekat. Kështu, zekati nuk paguhet për pambukun, kur ai arrin pesë kintarë,[77] sepse vlerësimi me evsuk është bazuar mbi vlerësimin se vlera e pambukut është më e lartë se vlerësimi në llojin e tij.

 

Tarifa e zekatit

Tarifa e zekatit ndryshon sipas metodës së ujitjes.

Nëse toka është ujitur në mënyrë natyrale, pa përdorur mjete artificiale, atëherë zekati që paguhet për të është një e dhjeta e prodhimit. Nëse është ujitur me mjete mekanike ose me ujë të siguruar në mënyra të tjera, atëherë zekati që paguhet është gjysma e të dhjetës. Muadhi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çfarë ujit qielli apo ujitet vetvetiu ose me një kanal ujitës (natyral), një e dhjeta është detyrë, ndërsa për çfarë ujitet nëpërmjet pusit ose një vije uji, jepet ½ e të dhjetës”.[78] Transmeton Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadith të vërtetë.

Ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çfarë ujit qielli ose nëpërmjet ndonjë burimi, një e dhjeta është detyrë, ndërsa për çfarë ujitet nëpërmjet pusit ose një vije uji, jepet ½ e të dhjetës”.[79] Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe të tjerë.

Në rast se toka është ujitur në sasi të barabartë si në mënyrë natyrale, ashtu edhe në atë artificiale, atëherë zekati që do të paguhet do të jetë ¾ e të dhjetës.

Ibën Kudame ka thënë se nuk njihte mendime të ndryshme rreth kësaj. Nëse një mënyrë ujitjeje përdoret më shumë se një tjetër, atëherë ajo do të ishte faktori përcaktues për të llogaritur zekatin. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Ahmedit, El Thaurit dhe Shafiut (në njërin nga dy mendimet e tij). Të gjitha shpenzimet që përfshihen në të korrat, pastrimin, transportin, ruajtjen, shirjen etj., duhet të përballohen nga pasuria e pronarit dhe nuk duhet të llogariten në pagesën e zekatit. Ibën Abasi dhe Ibën Umeri janë të mendimit se çfarëdo që është marrë borxh me qëllim mbjellje, korrje, për punimin e tokës, etj., duhet që fillimisht të hiqen mënjanë. Kjo është e qartë në thëniet e mëposhtme të transmetuara nga Xhabir ibën Zejdi, se Ibën Abasi dhe Ibën Umeri i kanë thënë një burri, i cili kishte marrë borxh për kultivimin e tokës për familjen e tij, se ai në radhë të parë duhet të paguante borxhet e tij e më pas të paguante zekat për pjesën e mbetur. Jahja ibën Adem e transmeton këtë në librin “El Haraxh”.

Ibën Hazmi transmeton nga Ata’ se në fillim duhet të reduktohen të gjitha shpenzimet, e nëse zekati është i detyrueshëm për pjesën e mbetur, vetëm atëherë duhet paguar.

 

  • Zekati për tokën, për të cilën paguhet taksë

Toka që është caktuar për të paguar taksë, ndahet në dy kategori:

 

1-Toka e të dhjetës: tokë e njerëzve që e kanë pranuar Islamin me dëshirë; ose që janë çliruar dhe toka e tyre u është ndarë çliruesve; ose toka e kthyer në pjellore dhe e kultivuar nga muslimanët.

 

2-Toka për të cilën paguhet taksë (haraç); tokë e marrë me forcë dhe lënë te pronarët e saj të vërtetë me kusht që ata të paguajnë taksën e kërkuar për tokën.

Zekati, ashtu siç paguhet për tokën e të dhjetës, po ashtu paguhet për të dyja llojet e tokave. Në rast se banorët e mëvonshëm pranojnë Islamin, ose kur muslimani e blen tokën është i detyruar të paguajë taksën e tokës. Në atë rast, si e dhjeta dhe haraçi bëhen të detyrueshme dhe asnjëra prej tyre nuk mohon vënien në praktikë të tjetrës.

Ibën El Mundhiri thotë: “Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, përfshi këtu Umer ibën Abdulazizin, Rabian, Zuhrin, Jahja El Ensarin, Malikun, Euzain, El Thaurin, El Hasan ibën Salih, Ibën Ebu Lejlën, El Lejthin, Ibën El Mubarakun, Ahmedin, Is’hakun, Ebu Ubejden dhe Daudin. Mendimi i tyre bazohet në Kuran, Sunet dhe në përvojën e intelektit të dijetarëve që e kanë ndërtuar në bazë të logjikës analoge.

Vargu kuranor që i referohet kësaj është thënia e Allahut të Madhëruar:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ…

“O ju që besuat! Jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës” (El-Bekare, 267)

Ndarja e prodhimit të tokës me të varfërin është detyrë për të dyja llojet e tokave. Tradita profetike, të cilës i referohemi thotë: “Për çka ujit qielli jepet një e dhjeta”. Ky hadith, në kuptimin e tij të përgjithshëm i përfshin të dyja llojet e tokave të mësipërme.

Sipas logjikës analoge, si zekati, ashtu edhe haraçi janë një lloj detyrimi, secila e bazuar në arsye të ndryshme dhe asnjëra prej tyre nuk e eleminon tjetrën. Kjo është e ngjashme me rastin e muhrimit (që ka veshur ihramin[80] në haxh apo umra), i cili vret një gjah që është pronë e dikujt tjetër. Përderisa e dhjeta është një detyrim me tekst, nuk mund të mohohet nga haraçi, i cili është bërë i detyrueshëm me anë të ixhdtihadit[81]. Ebu Hanife thotë se një e dhjeta nuk paguhet për tokën e haraçit. Sipas tij, haraçi është detyrë vetëm atëherë kur toka është e pushtuar, ndërsa njëri nga kushtet kryesore të detyrimit të një të dhjetës është që toka nuk duhet të jetë e këtij lloji.

 

 

Argumentet e mendimit të Ebu Hanifes

Imam Ebu Hanife sjell këto fakte për mendimin e tij:

Sipas Ibën Mesudit, Profeti (a.s.) ka thënë: “As haraçi dhe as e dhjeta nuk paguhen njëkohësisht për tokën e një muslimani”. Megjithatë ky hadith konsiderohet i dobët, sipas konsensusit të dijetarëve. Jahja ibën Anbasa e transmeton atë nga Ebu Hanife nga Hamadi, ai nga Ibrahim Nahai, ai nga Alkamah, ai nga Ibën Mesudi dhe ai nga Profeti (a.s.). Bejhakiu, pasi ka hetuar zinxhirin e këtij transmetimi, ka thënë në “Ma’rifetu Es-Sunen ue El Athar” se hadithi i përmendur ka ardhur nëpërmjet Ebu Hanifes, ai nga Hamadi, ai nga Ibrahimi nën përgjegjësinë e tij. Kështu, Jahja e transmeton atë në formë merfu’. Jahja ibën Ansabah është i njohur për transmetime të dobëta, ngase ai transmeton nga njerëz të sigurt hadithe të trilluara. Kjo thuhet edhe nga Ebu Ahmed ibën Adij El Hafidh, siç na informon rreth tij Ebu Said El Malini. Po kështu, Kemal ibën Humami[82], një prej imamëve hanefi, e konsideron këtë hadith të dobët.

Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Iraku nuk do të paguajë kafizin[83] e tij dhe dirhemët; Shami nuk do të paguajë madin dhe dinarët e tij dhe Egjipti erdabët dhe dinarët e tij. Kështu, ju do të ktheheni në pikën ku ishit nisur”[84].[85] Ai e ka përsëritur këtë tre herë dhe Ebu Hurejra e ka dëgjuar personalisht. Ky hadith nuk përbën ndonjë fakt se zekati nuk duhet të paguhet për tokën e haraçit. Dijetarët e interpretojnë kuptimin e tij se kthimi i këtyre vendeve në fenë islame do të eleminojë taksat e tokës. Gjithashtu mund të jetë një aludim (hamendje) për sprovat që mund të shfaqen në kohët e fundit dhe që do të çojnë në neglizhencën e plotësimit të detyrimit të zekatit, xhizjes e të tjerave nga ana e tyre.

Imam Neveviu thotë: “Nëse ky hadith do të thotë se çfarë thonë ata (hanefitë),

atëherë kjo do të thotë se zekati nuk mund të jetë i detyrueshëm për derhemët,

dinarët dhe tregtinë. Këtë nuk e thotë askush” . Transmetohet në kohën kur një njeri me famë i Bahrelmulkut përqafoi Islamin, Umer ibën El Hatabi tha: “Jepini atij tokë dhe merrni nga ai taksën e saj”. Ky është një qëndrim i qartë për çështjen e marrjes së haraçit, pa kërkuar pagimin e të dhjetës. Ky rast tregon se haraçi nuk anullohet për ndonjë person që përqafon Islamin dhe as nuk çon në heqjen e të dhjetës. Ai e përmend këtu haraçin si një mënyrë për të treguar që ai nuk anulohet me përqafimin e Islamin, si në rastin e xhizjes.

Për sa i përket të dhjetës, dihet se ka të bëjë me një musliman të lirë, kështu që nuk ka nevojë ta përmendim. Gjithashtu, ai nuk e përmendi zekatin për bagëtitë. Kjo mbron pagesën e zekatit për argjendin, floririn dhe sendet e tjera me vlerë. Ndoshta njeriu me famë nuk zotëronte ndonjë gjë, për të cilën duhej të merrej e dhjeta.

Thuhet se tradita e udhëheqësve dhe imamëve nuk ishte që të bashkonin mes haraçit dhe të dhjetës. Ibën El Mundhiri e kundërshton këtë, pasi Umer ibën Abdulazizi i ka kombinuar të dyja. Gjithashtu, thuhet se haraçi është e kundërta e të dhjetës. Kjo do të thotë se haraçi është detyrim si dënim, ndërkohë që e dhjeta është një veprim adhurimi. Për këtë, këto të dyja nuk mund të kombinohen (në të njëjtën kohë) dhe të përftohen njëkohësisht nga i njëjti person. Kjo gjë qëndronte në fillim (kur tokat pushtoheshin), por nuk ka qenë e vlefshme për më tej. Megjithatë, jo të gjitha format e haraçit bazohen në forcë dhe pushtim, përderisa disa nga format e tij janë të institucionalizuara pa forcë si për shembull në rastin e haraçit të tokave fqinje ose në rastin e tokave të reja të përftuara, të gjallëruara nga ujitja nëpërmjet ndonjë vije uji.

Po ashtu, thuhet se arsyeja për të cilën është bërë i detyrueshëm haraçi dhe e dhjeta është e njëjtë dhe është toka potencialisht dhe aktualisht prodhuese. Kjo mund të shpjegohet duke kujtuar se, nëse ajo është tokë moçalishte pa përfitime, nuk paguhet as haraç dhe as e dhjetë për të. Kjo, pasi një çështje nuk mund të kërkojë dy detyrime të të njëjtit lloji. Kjo është e ngjashme me rastin e atij njeriu që posedon për një vit deve që kullosin lirshëm me qëllim për tregti. Për një person të tillë nuk kërkohet të paguajë dy lloje zekatesh; si për posedim ashtu edhe për tregti. Pra, nuk është kështu, pasi e dhjeta paguhet për prodhimet e tokës dhe haraçi për vetë tokën, pavarësisht nëse është e mbjellë apo jo.

Për sa i përket pranimit të bashkimit të çështjes, Kemal ibën Humami shpjegon se asgjë nuk e ndalon lidhjen e dy detyrimeve për një arsye të njëjtë që është toka.

 

Zekati për tokën e marrë me qera

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se, çdokush që merr me qera një pjesë toke dhe e kultivon atë, është ai që duhet të paguajë zekat dhe jo pronari i tokës. Ebu Hanife ka mendimin se zekati është i detyrueshëm për vetë pronarin e tokës.

Ibën Rushdi mbron mendimin se: “Ndryshimi i tyre qëndron në faktin se e dhjeta paguhet për tokën apo për prodhimin e saj”.

Në mënyrë të qartë, zekati, siç sugjeron mendimi i tyre, paguhet për të dyja. Ndryshimi është vetëm tek përparësia, duke konsideruar faktin se, si prodhimi, ashtu edhe toka i përkasin të njëjtit pronar. Shumica e dijetarëve thonë se zekati është detyrë për farërat. Ebu Hanife mbron idenë që thelbi i detyrimit është toka.

Ibën Kudame pajtohet me mendimin e shumicës dhe thotë: “Detyrimi qëndron tek prodhimi dhe paguhet nga pronari i tij në rastin e vlerës së destinuar për tregti. Gjithashtu kjo është e ngjashme me të dhjetën që paguhet për prodhimin e tokës së përftuar. Mendimi i tyre (hanefive) nuk është autentik, pasi nëse zekati duhet të mblidhet për vlerën e tokës, atëherë ai duhet të ketë qenë i detyrueshëm edhe nëse toka nuk do të kultivohej, si në rastin e taksës së tokës. Madje dhe jomuslimanët nuk përjashtohen nga pagesa e saj. Për këtë rast, haraçi duhet të vlerësohet për vetë tokën dhe jo për vlerën e prodhimit të saj, që do të thotë se do të konsiderohet pjesë e shpenzimeve të pasurive të jobesimtarëve të përftuara nga muslimanët pa luftë dhe jo shpenzime të zekatit”.

 

Vlera e nisabit për palmën dhe hardhitë, e matur me hamendje dhe jo me masë

Sapo piqen palmat (hurmat) dhe hardhitë, prodhimi i tyre është gati për t’u marrë. Vlerësimi i nisabit të tyre bëhet pa marrë parasysh peshën e tyre aktuale. Procesi merret përsipër nga një person i ditur dhe i besueshëm, i cili vlerëson sasinë e rrushit të freskët dhe hurmave për zekat, duke qenë ende në pemë, sikur të ishin hurma të thara dhe rrush i thatë. Sasia e zekatit paguhet kur frutet janë tharë.

Ebu Humeid Es-Saidi transmeton: “Shkuam në një ekspeditë në Tebuk me Profetin (a.s.). Kur arritëm në Vadi El Kura[86] pamë një grua në kopështin e saj. Profeti (a.s.) tha: “Vlerësoheni (zekatin e kopështit të saj)! Pastaj Pejgamberi (a.s.) e vlerësoi 10 evsuk dhe i tha asaj: “Llogarite sa do të nxjerrësh për zekat nga prodhimi yt!”[87] Transmeton Buhariu.

Kjo është një praktikë e të Dërguarit të Allahut, shokëve të tij dhe dijetarëve të tjerë, të cilët e kanë zbatuar atë. Ky është dhe mendimi i shumicës.[88]

Hanefitë e kundërshtojnë këtë mendim, pasi ata e konsiderojnë hamendjen të pasigurt dhe rrjedhimisht të pavlefshme për të caktuar sasinë që duhet të merret për zekat. Por Suneti i Profetit (a.s.) është orientimi më i mirë, pasi hamendja nuk është kuturi, po është një përpjekje serioze për të vlerësuar prodhimin. Është e njëjta gjë me të vlerësuarit e sasisë së prodhimit të humbur (për shkak të kalbjes apo ngrënies nga krimbat dhe insektet). Baza për një formë të tillë vlerësimi qëndron mbi zakonin që njerëzit hanë fruta të freskëta dhe si të tilla është e nevojshme për të llogaritur sasinë për zekat përpara se të hahen ose të vilen.

Në këtë mënyrë pronarët janë të lejuar të veprojnë si të duan dhe në të njëjtën kohë kanë të sigurt sasinë e zekatit. Ai që e çmon këtë duhet të mos marrë parasysh një të tretën ose një të katërtën e prodhimit, si lehtësim për pronën e pronarëve, derisa të afërmit dhe komshinjtë e tyre kanë nevojë të hanë një pjesë të këtij prodhimi. Gjithashtu, prodhimi ekspozohet ndaj rreziqeve të tilla si zogjtë, era, kalimtarët, prishja etj. Çdo vlerësim i sasisë së zekatit për të gjithë prodhimin, pa përjashtuar një të tretën ose një të katërtën e tij (për arsyet e sipërpërmendura), do të kishte cënuar interesat e pastra të pronarëve.

Sehël ibën Ebu Hathame transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në çdo rast kur përdorni hamendjen, vlerësoni zekatin dhe shpërfillni një të tretën. Nëse nuk e bëni, atëherë lini (të paktën) një të katërtën”.[89] Ky hadith është transmetuar nga Ahmedi dhe autorët e “Es-Sunan”, përveç Ibën Maxhes. Gjithashtu, ai transmetohet edhe nga Hakimi dhe Ibën Hibani, të cilët e vërtetojnë atë.

Duke komentuar mbi statutin e transmetimit të hadithit të mësipërm, Tirmidhiu thotë: “Hadithi që transmetohet nga Sehli është kthyer në ligj dhe ndiqet nga shumica e dijetarëve”.

Beshir ibën Jesar thotë: “Kur Umer ibën Hatabi caktoi Ebu Hathame El Ensarin për të vlerësuar pronën e muslimanëve i tha atij: “Gjithmonë kur të shohësh se njerëzit kanë lënë disa hurma të pambledhura për vjeshtë, mos e vlerëso zekatin për to dhe lëri për njerëzit që t’i hanë”.[90]

Makhuli tregon: “Gjithmonë kur Profeti (a.s.) caktonte një njeri për vlerësim, i thoshte: “Ji i butë me njerëzit, pasi disa nga pronat e tyre (pemët) mund të jenë djerrë, disa pa shumë prodhim, disa për ushqim për ta”.[91]

Këtë e transmeton Ebu Ubejd, i cili shpjegon se nuk jepet zekat për pemën e ulët të hurmës që quhet es-sabilah se kalimtarët mund t’i këpusin lehtë frutat e saj. Po ashtu, pema e ngrënshme është një pemë palme el akilah, veçanërisht e caktuar për të ngrënë nga familja dhe për këdo që është i lidhur me atë familje.

 

Ngrënia prej drithërave dhe të mbjellave

Pronarit i lejohet të hajë nga drithërat dhe atë që ai e përdor për ushqim para vjeljes nuk do të përfshihet në sasinë e caktuar për zekat. Kjo gjë është shndërruar në një zakon që aplikohet prej kohësh dhe ajo që hahet në këtë formë është sasi e pakët.

Sidoqoftë, vetëm një sasi e vogël përdoret për konsum si në rastin e një pronari të një peme me fruta, i cili ha disa nga frutat e saj. Kështu, zekati do të vlerësohet mbi shumën aktuale, pasi ai ta vjelë atë dhe të qërojë farat. E pyetën Ahmedin për ngrënien e farikut (grurit të gjelbër të gatuar) dhe ai u përgjigj se, nuk ka asnjë dëmtim, nëse pronari ha nga çfarë ka nevojë. Ky është mendimi i Shafiut, El Lajthit dhe Ibën Hazmit.

Megjithatë, Maliku dhe Ebu Hanife janë të mendimit se duhet të llogaritet edhe ajo që pronari konsumon nga të mbjellat dhe frutat, përpara se ato të vilen.

 

  • Përzierja e drithërave dhe frutave

Dijetarët bien dakord që lloje të ndryshme frutash mund të përzihen, edhe nëse cilësia e tyre është e ndryshme. Lloje të ndryshme rrushi të thatë mund të përzihen bashkë e po ashtu edhe lloje të ndryshme drithërash.[92] Ata, gjithashtu, bien dakord se tregtia dhe vlera e saj e fituar mund të bashkohen. Shafiu nuk e lejon përzierjen e mallrave dhe valutës gjatë blerjes, përveç me llojin e blerë, pasi nisabi llogaritet për të. Dijetarët nuk lejojnë bashkimin e kategorive të caktuara me të tjera për të arritur nisabin, me përjashtim të drithërave dhe frutave. Kjo është arsyeja, pse një kategori kafshësh nuk mund të bashkohet me një tjetër. Për shembull, devetë nuk mund t’u shtohen lopëve për të plotësuar nisabin dhe as frutat e freskëta nuk mund t’u shtohen frutave të thara, e as hurmave nuk mund t’u shtohet rrushi i thatë.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me bashkimin e llojeve të ndryshme të drithërave. Mendimi më i saktë dhe më i mirë është ai se dy kategori nuk mund të kombinohen për të llogaritur nisabin, prandaj ai duhet llogaritur për çdo kategori më vete. Kjo, pasi ekzistojnë kategori dhe lloje të ndryshme. Për këtë, elbi nuk mund t’i shtohet grurit dhe anasjelltas. E njëjta gjë vlen edhe për hurmat dhe rrushin e thatë apo qiqrat dhe thjerrëzat. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Shafiut dhe Ahmedit (sipas njërit prej transmetimeve të tij). Shumica e dijetarëve të hershëm e mbrojnë këtë mendim.

Ibën El Mundhir thotë se të gjithë dijetarët bien dakord se devetë nuk mund të kombinohen me lopët ose delet, apo lopët me delet dhe po ashtu as hurmat me rrushin e thatë. Për këtë arsye nuk mund të ketë përzierje të llojeve të ndryshme të prodhimeve dhe kafshëve. Ata që e lejojnë një gjë të tillë e bëjnë pa pasur ndonjë argument të vërtetë për atë që kanë thënë.

 

Kur detyrohet zekati për bimët dhe frutat?

Zekati është i detyruar për të mbjellat, kur drithërat janë pjekur dhe janë gati për t’u mbledhur dhe për frutat kur ato piqen. Tregues do të ishte ngjyra e tyre e kuqe dhe shkëlqimi, ndërsa për rrushin tregues për pjekjen e tij do të ishte ëmbëlsia e tij.[93]

Nxjerrja e zekatit është detyrë vetëm pasi drithërat të jenë pastruar nga byku ose frutat pasi të jenë tharë. Nëse fermeri e ka shitur frutin e tij, pasi është pjekur, zekatin e tyre e paguan ai dhe jo blerësi. Kjo, pasi detyrimi për të paguar zekat është bërë detyrë kur prodhimi ka qenë ende në pronësi të vetë pronarit.

 

Zekati paguhet nga pjesa cilësore e mallrave

Allahu i Madhëruar urdhëron paguesit e zekatit ta paguajnë atë nga pjesa e mirë e pronës së tyre dhe jo nga ajo e keqe. Në lidhje me këtë, Zoti i Lartësuar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ وَلاَ تَيَمَّمُوا الْخَبِيثَ مِنْهُ تُنفِقُونَ وَلَسْتُمْ بِآخِذِيهِ إِلاَّ أَنْ تُغْمِضُوا فِيهِ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ حَمِيدٌ

O ju besimtarë! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllurazi. Ta dini mirë se Allahu s’ka nevojë për ju e Ai është i Madhëruar”. (El-Bekare, 267)

Ebu Daudi, Nesaiu dhe të tjerë transmetojnë nga Sehël ibën Hanif dhe ai nga babai i tij se: “I dërguari i Allahut e ndaloi pagimin e zekatit për dy lloje hurmash të quajtura xhurur dhe habik (hurma të një lloji shumë të dobët)”.[94]

Në atë kohë njerëzit kishin zakon të linin mënjanë pjesën më të keqe të frutave për sadaka, por një gjë e tillë më vonë u ndalua nga Allahu, kur thotë: “…e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, që ju nuk do ta pranonit për vete…”. Gjatë përmendjes së këtij ajeti, El Berra thotë: “Ky ajet është shpallur në lidhje me ne ensarët, pasi ne zotëronim hurma. Një njeri sillte nga pema e tij në varësi të asaj që kishte pasur, një apo dy grumbuj dhe i varte në xhami. Pastaj njerëzit e varfër prej muhaxhirëve që nuk kishin ushqim shkonin atje dhe e godisnin grumbullin me thuprat e tyre. Hurmat jeshile dhe të papjekura binin dhe ata i hanin. Kishte dhe njerëz që nuk rendnin drejt së mirës. Dikush sillte një grumbull hurmash të cilësisë së ulët ose të këqija apo një grumbull të hapur (përpara se të piqen) dhe i varnin në xhami. Në këtë kohë Allahu shpalli ajetin: O ju besimtarë! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo…”

El Berra thotë se, nëse ndonjëri merr ndonjë dhuratë të njëjtë me atë që jep, ai do ta pranonte atë me një kënaqësi të shtirur duke u turpëruar. Pastaj El Bara’a vazhdon: “Kështu, më vonë secili prej nesh ofronte pjesën më të mirë të mallit që kishte”.[95] Transmetohet nga Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i sigurt (hasen sahih garijb).

Sheukani në përmbledhjen e tij për këtë temë thotë: “Kjo do të thotë që pronarit nuk i lejohet të ndajë veç pjesën e keqe nga ajo e mira, për të cilën detyrohet zekati. Kjo, veçanërisht për hurmat dhe në mënyrë analoge për kategoritë e tjera për të cilat paguhet zekat. Për më tepër, mbledhësve të zekatit nuk u lejohet të grumbullojnë pjesën e keqe të lënë mënjanë”.

 

  • Zekati për mjaltin

Shumica e dijetarëve janë të memdimit se nuk ka zekat për mjaltin. Buhariu ka thënë se nuk ekziston ndonjë hadith i vërtetë që flet për zekatin e mjaltit.

Shafiu shpjegon: “Për mendimin tim nuk ka zekat për të, pasi nuk ka prova të qarta nga hadithet apo traditat për një veprim të tillë, kështu që ai (mjalti) është përjashtuar nga zekati.

Ibën El Mundhiri pohon: “Nuk ka ndonjë argument dhe as konsensus dijetarësh që të mbështesë idenë se duhet paguar zekat për mjaltin. Nuk ka zekat për mjaltin dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve”.

Hanefitë dhe Ahmedi janë të mendimit se zekati paguhet për mjaltin, megjithëse kjo gjë nuk vërtetohet nga ndonjë hadith, përveç disa transmetimeve që mbështesin njëri-tjetrin. Arsyetimi i tyre është se, përderisa ai prodhohet nga lulet dhe pemët dhe peshohet e ruhet si llojet e tjera të prodhimeve, atëherë zekati është i detyrueshëm për të. Gjithashtu, thuhet se zekati është i detyrueshëm për të, përderisa kostoja e prodhimit të tij është më e ulët se ajo e rritjes së frutave dhe bimëve. Ebu Hanife e bëri kusht që kur të mblidhet zekati i mjaltit, të mblidhet nga mjalti i prodhuar në një tokë që paguan taksën e të dhjetës. Megjithatë, ai nuk ka përcaktuar ndonjë nisab për të. Nëse është kështu, atëherë arsyeja të çon se e dhjeta duhet të paguhet për çdo sasi, qoftë shumë apo pak. Nga ana tjetër, imam Ahmedi përcaktoi nisabin që duhet të përftohej prej 10 afrak. Një afrak është i barabartë me 16 paund irakienë. Nuk ka ndonjë ndryshim se në ç’lloj toke prodhohet (tokë haraçi apo të dhjete).

Ebu Jusufi kundërshton duke thënë se nisabi i tij është 10 paund, ndërsa Muhamedi thotë se nisabi duhet të jetë sa 5 afrak. Një afrak është i barabartë me 36 paund.

 

 

ZEKATI PËR KAFSHËT

 

Ekzistojnë hadithe autentike që tregojnë hapur se zekati është i detyrueshëm për devetë, gjedhin dhe delet. Ky fakt gëzon një konsensus të plotë. Megjithatë, duhet të plotësohen disa kushte:

1- Kafshët që përfshihen në zekat duhet të plotësojnë nisabin e tyre.

2- Duhet të zotërohen për një vit të plotë.

3- Duhet të kenë kullotur vetë, që do të thotë të kenë kullotur pjesën më të madhe të vitit në kullota të disponueshme.[96]

Shumica e dijetarëve bien dakord me kushtin e fundit. Megjithatë Maliku dhe El Lejthi thonë se zekati është i detyrueshëm për kafshët, qoftë për ato që kanë kullotur dhe për ato që janë ushqyer me ushqim të gatshëm, është përdorur për të mbajtur ngarkesë apo jo.

Megjithatë, hadithet e transmetuara janë të qarta në kufizimin e zekatit vetëm për gjënë e gjallë që kullot e lirë. Kjo gjë sugjeron se nuk ka zekat për gjënë e gjallë të rritur me ushqime të gatshme. Është gjithmonë më e sigurt ta bazosh një mendim mbi fakte, sesa mbi hamendje të përgjithshme. Kjo bëhet për të mënjanuar keqkuptimet e mundshme të qëllimit të Profetit (a.s.).

Ibën Abdulberri thotë se nuk njeh ndonjë jurist që të ketë ndjekur Malikun ose El Lejthin përsa i përket kësaj teme.

 

  • Zekati për devetë

Nuk ka zekat për devetë, nëse ato nuk e arrijnë numrin pesë. Zekati për to jepet vetëm atëherë, kur ato arrijnë në pesë krerë, kullosin lirisht në mjedise të hapura dhe zotërohen nga dikush për një periudhë kohore njëvjeçare. Kur janë 5 deve, zekati i tyre është një dele[97]. Kur janë 10, zekati i tyre është dy dele. Kështu, sa herë që numri tyre rritet me pesë, zekati për to është një dele më shumë. Në 25 deve nxirret një deve femër që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në vitin e dytë e nëse nuk ka, jepet një deve mashkull dyvjeçar dhe ka hyrë në të tretin. Në qoftë se janë 36 deve, nxirret një deve femër në qumësht. Në qoftë se numri arrin në 46, nxirret një deve që ka mbushur tre vjet dhe ka hyrë në të katërtin. Në qoftë se numri arrin në 61, nxirret për zekat një deve që ka mbushur katër vjeç dhe ka hyrë në të pestin. Në qoftë se numri arrin 76, nxirren dy deve femra në qumësht. Nëse numri arrin në 91 dhe deri në 120, nxirren dy deve që kanë mbushur tre vjeç dhe kanë hyrë për katër. Në qoftë se numri kalon nga 121 deve e sipër, atëherë nxirret për çdo 40 prej tyre një deve femër në qumësht e në çdo 50 prej tyre nxirret një deve që ka mbushur tre vjet dhe ka hyrë për katër.

Për sa i përket atyre që duhet të jenë në një moshë të caktuar dhe ajo nuk gjendet ndër to (devetë), atëherë nxirret ajo që ndodhet më e vogël në moshë se ajo që kërkohet, duke shtuar dy dele ose 20 derhem, duke marrë parasysh se ai mund ta paguajë këtë shumë. Nëse personi ka vetëm 4 deve, ai nuk është i detyruar të paguajë ndonjë gjë, vetëm në rast se ka dëshirë.[98]

Këto janë rregullat përsa i përket zekatit për devetë që janë aplikuar nga Ebu Bekr Es-Sidiku dhe askush nga shokët e tij nuk kishte mendim të kundërt me të në lidhje me këtë çështje.

Zuhri transmeton nga Selimi e ai nga babai i tij: “I Dërguari i Allahut i kishte të shkruara rregullat e sadakasë, por nuk mundi t’ia dërgonte mëkëmbësve të tij. Pas vdekjes së tij, Ebu Bekri (r.a.) i shpërndau ato dhe i aplikoi. Një praktikë të tillë e ndoqi edhe kalifi Umer dhe dëshironte që ta ndiqnin dhe pasardhësit e tjerë”.[99]

 

  • Zekati për gjedhin[100]

Kusht për të dhënë zekat për gjedhin, ashtu si edhe për devenë, është plotësimi i kriterit të numrit dhe periudhës së caktuar. Nisabi për lopët është 30 krerë dhe ajo që është e detyruar të nxirret për zekat nga këta 30 krerë është një viç motak njëvjeçar. Në qoftë se numri arrin në 40, atëherë nxirret një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet[101] e kjo gjë aplikohet deri në 59 krerë. Nëse numri arrin në 60, atëherë nxirren për zekat dy viça motakë. Nëse numri arrin 70, nxirret për zekat një viç motak, bashkë me një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet. Nëse numri arrin në 80, atëherë nxirren për zekat dy mëshqerra që kanë mbushur dy vjet. Në qoftë se numri arrin në 90, nxirren për zekat tre viça motakë. Nëse numri arrin në 100, nxirren për zekat dy viça motakë dhe një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet. Nëse numri arrin në 110, nxirren për zekat dy mëshqerra që kanë mbushur dy vjet dhe një viç motak. Në qoftë se numri arrin në 120, atëherë nxirren për zekat tre mëshqerra që kanë mbushur dy vjet ose katër viça motakë.

Kështu, nëse numri rritet, në çdo 30 krerë nxirret një viç motak dhe në çdo 40, nxirret një mëshqerrë, siç e cituam më sipër.

 

  • Zekati për bagëtitë e imëta[102]

Tek bagëtitë e imëta hyjnë dhentë dhe dhitë. Kusht për të dhënë zekat për to është të plotësojnë nisabin dhe periudhën e caktuar. Nisabi për bagëtitë e imëta është për 40 krerë një dele. Kjo gjë aplikohet deri nëse ato arrijnë 120. Në qoftë se numri arrin 121, për to nxirren dy dele. Kjo gjë aplikohet deri nëse numri arrin 200 krerë. Në qoftë se numri arrin 201 dhe deri në 300 krerë, për to nxirren tre dele. Nëse numri i bagëtive të imëta i kalon 300 krerët, atëherë për çdo 100 prej tyre nxirret një dele. Dijetarët e lejojnë marrjen e deshëve për zekat, nëse të gjitha bagëtitë e nisabit janë meshkuj. Nëse bagëtitë janë të përziera meshkuj dhe femra, hanefitë e lejojnë nxjerrjen e meshkujve për zekat, ndërkohë që të tjerët specifikojnë bagëtitë femra.[103]

 

Ç’është avkasi ?- Përkufizimi i tij

Avkas është fjalë arabe dhe shumësi i fjalës vaks. Një vaks[104] është çfarëdolloj sasie ose numri që qëndron midis një mase më të ulët të urdhëruar (për zekat) dhe asaj më të lartë (për shembull 25-36 deve). Dijetarët bien dakord që një vaks i tillë është i përjashtuar nga zekati. Konfirmohet nga Profeti (a.s.) se ka thënë rreth sadakasë për devetë: “Kur numri i deveve arrin 25 (jepet për zekat) një deve e re femër që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në të dytin. Kur ato arrijnë numrin 36-45, atëherë zekati për to është një deve femër e re dyvjeçare që ka hyrë në të tretin”.[105]

Përsa i përket sadakasë së gjedhit, ai ka thënë: “Kur gjedhi arrin numrin 30-40, zekati është një viç motak një vjeç ose një mëshqerrë që ka hyrë në vitin e dytë. Kur arrin numri 40, jepet një lopë dyvjeçare që ka hyrë në të tretin”.[106]

Ndërsa përsa i përket sadakasë së bagëtive të imëta, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur numri i deleve që kanë kullotur lirisht është midis 42-120, zekati i tyre është një dele”.[107]

Duke u nisur nga faktet e mësipërme, ajo që qëndron midis 25-36 deveve është konsideruar vaks, që do të thotë se nuk ka zekat për to. Në të njëjtën mënyrë çfarëdo numri të gjedhëve që qëndron midis 30-40, konsiderohet vaks. Kjo aplikohet gjithashtu edhe për delet.

 

Çfarë nuk duhet të përfshihet në zekat?

Kur pronat e dikujt llogariten për zekat, duhen marrë parasysh të drejtat e tij si pronar. Gjërat më të mira prej mallrave të ndryshme nuk merren për zekat, derisa këtë ta pranojë vetë pronari me dëshirë. Gjithashtu, duhen marrë parasysh të drejtat e të varfërve. Një kafshë me mangësi nuk merret për zekat, vetëm në rast se të gjitha kafshët e disponueshme janë të mangëta. Zekati është i detyrueshëm nga mesatarja e asaj prone. Këtë mendim e mbështesin faktet e mëposhtme: Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “Nuk merren për sadaka ato që janë të vjetra[108], ato që janë me mangësi[109] dhe cjeptë”.[110]

Sufjan ibën Abdullah Thekafiu tregon se Umeri (r.a.) e ndaloi mbledhësin e zekatit të mblidhte për zekat delet shterpë, ato që mbahen në shtëpi për qumësht, ato që janë të mbarsura dhe dashi që mbahet për mbarështimin e kopesë.[111]

Abdullah ibën Muavije El Gadiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që i plotëson këto tre kushte, do të shijojë besimin (imanin): Ai që e adhuron Zotin një dhe beson se nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe e jep me zemër zekatin e pronës së tij çdo vit dhe nuk ofron bagëti të vjetra, shterpa, të sëmura, të zgjebosura, ato që janë më të këqijat dhe ato që s’japin qumësht. Ju duhet të jepni një prej mesit të bagëtive tuaja. Me të vërtetë, Allahu nuk ju kërkon të jepni më të mirën e as nuk ju urdhëron të jepni më të keqen”.[112] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Tabaraniu me një zinxhir të mirë transmetimi.

 

 

  • Zekati për kafshët e tjera

Zekati nuk aplikohet për kafshë të tjera përveç gjedhit dhe bagëtive të imëta. Për

këtë nuk ka zekat për kuajt, mushkat ose gomerët. Zekati për ta jepet vetëm në atë rast, kur ato përdoren për tregti.

Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu nuk e ka për detyrë të japë sadaka për kalin dhe robin e tij”.[113] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Ahmedi me një zinxhir të mirë transmetimi.

Po ashtu, nuk qëndron që Profeti (a.s.) të ketë marrë sadaka për mushkat dhe gomerët.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) u pyet nëse ka zekat për gomerët dhe ai u përgjigj: “Asgjë nuk është përmendur (në shpallje), përveç versetit kuranor:

فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَه(وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَه

“Kush ka punuar ndonjë të mirë sa grimca, do ta gjejë dhe kush ka punuar ndonjë të keqe sa grimca, ka për ta gjetur”.[114] (Ez-Zelzele, 7-8)

Kjo transmetohet nga Ahmedi dhe detajet e tij tashmë janë përmendur.

Harithete ibën Mudarrib transmeton se ai kishte bërë haxhin me kalif Umerin (r.a.) dhe tek ai kishte shkuar paria e Sirisë. Këta të fundit i kishin thënë Umerit (r.a.): “O prijës i besimtarëve! Ne kemi mbledhur disa robër dhe kafshë, kështu që merr sadaka nga pasuria jonë të na pastrosh”. Nërsa prijësi i besimtarëve u ishte përgjigjur: “Dy pararendësit e mi[115] nuk e kanë bërë më parë këtë, por prisni njëherë t’i pyes muslimanët për këtë”.[116] Ky është transmetim i El Hajthemit, i cili citon se atë e ka treguar Ahmedi dhe po ashtu Tabaraniu në librin e tij “El Kebir”. Transmetuesit e këtij hadithi konsiderohen të besueshëm.

Zuhri transmeton nga Selman ibën Jesar se populli i Sirisë i tha Ebu Ubejde ibën Xherrahit: “Merr sadaka për kuajt dhe robërit tanë!”. Ai refuzoi e më pas i shkroi Umerit (r.a.), i cili refuzoi gjithashtu. Ata folën me të përsëri dhe ai i shkroi Umerit (r.a.) sërish. Umeri (r.a.), pasi vuri re këmbënguljen e letërshkruesit, iu përgjigj: “Nëse e dëshirojnë këtë, merre prej tyre dhe ktheje përsëri tek ata (të varfërit e tyre) dhe robërit e tyre”.[117] Kjo ngjarje transmetohet nga Maliku dhe Bejhakiu.

 

  • Zekati për devetë e reja, viçat e njomë dhe qengjat

Kur një person disponon nisabin e deveve, lopëve dhe deleve dhe gjatë të njëjtit vit ata pjellin të vegjël dhe shtohen, atëherë zekati është i detyrueshëm në fund të vitit, si për numrin e llogaritur më parë, ashtu edhe për pasardhësit e tyre. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se zekati i tyre konsiderohet si zekat i pasurisë së përgjithshme. Maliku dhe Shafiu transmetojnë nga Sufjan ibën Abdullah Thekafiu se Umer ibën El Hatabi ka thënë: “Numëroji bagëtitë e sapolindura që mbahen në krah nga bariu dhe mos i llogarit për zekat. Po kështu nuk llogariten për zekat as delet shterpë, të sëmura, ato që mbahen në shtëpi për qumësht, ato që janë të mbarsura dhe dashi që mbahet për mbarështimin e kopesë. Zekati mblidhet nga cilësia mesatare e pasurisë”.[118]

Ebu Hanife, Shafiu dhe Ebu Thauri janë të mendimit se bagëtia e posalindur nuk llogaritet në pagesën e zekatit, vetëm në rast se kafshët e rritura përbëjnë një nisab. Gjithashtu, Ebu Hanife ka thënë që qengji mund të shtohet për të plotësuar një nisab, qoftë të lindur nga e njëjta bagëti ose jo. Ato do të llogariten për zekat në fund të vitit. Shafiu përcakton kushtin që kafsha e re duhet të lindë nga nisabi përpara përmbushjes së tij. Sipas Ebu Hanifes, Daudit, Sha’biut dhe Ahmedit nuk ka zekat për kafshët e reja.

Ahmedi, Ebu Daudi, Darakutni, Nesaiu dhe Bejhakiu transmetojnë se Suvejd ibën Gafle ka thënë: “Mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) erdhi tek ne dhe e dëgjova të thoshte: “Në pozitën time si zyrtar, nuk merret zekat për kafshën që është me qumësht gjiri”. Në zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi është Hilal ibën Habab, të cilin shumë e kanë cilësuar të besueshëm, por disa të tjerë nuk e kanë konsideruar të tillë.

Sipas mendimit të Malikut dhe Ahmedit kafshët e reja, ashtu si edhe të rriturat, përfshihen në zekat. Shafiu dhe Ebu Jusufi mbrojnë idenë që të paktën një kafshë e re prej kafshëve të tjera të reja është e detyrueshme (për zekat).

 

Kombinimi ose ndarja e kafshëve të reja nga të vjetrat

1- Suvejd ibën Gafle ka thënë se: “Mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) erdhi tek ne dhe e dëgjova të thoshte: “Ne nuk mbledhim zekat për kafshët që janë me qumësht, as i ndajmë midis tyre të reja dhe të vjetra dhe as i kombinojmë bashkë”. Një burrë shkoi tek ai me një deve që kishte një gungë të madhe[119] dhe ai nuk e pranoi atë për zekat.[120] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

 

2- Enesi citon një letër që ia kishte dërguar Ebu Bekri (r.a.), ku, ndër të tjera, i shkruante: “Këto janë sadaka të detyruara, të cilat i Dërguari i Allahut i bëri obligim për muslimanët. Nuk është e nevojshme të grumbulloni (të reja dhe të vjetra) ose t’i ndani ato për të përftuar sasinë e saktë të sadakasë. Kur zekati është caktuar për dy gjëra bashkë, atëherë ne duhet ta ndajmë në mënyrë të barabartë ndërmjet tyre”.[121] Transmeton Buhariu.[122]

Maliku në librin e tij “El Mua’ta” thotë: “Kjo shpjegohet kur gjenden tre ortakë dhe secili prej tyre disponon 40 krerë bagëti, për të cilat paguan zekat. Nëse ata i bashkojnë bagëtitë bashkë, zekati i tyre do të jetë vetëm një dele. Marrim një shembull tjetër. Dy ortakë kanë 201 bagëti. Zekati për to është tre bagëti. Nëse ata e ndajnë tufën në mes tyre, atëherë zekati i tyre do të jetë nga një dele për secilin”.

Shafiu mbron idenë se ky pohim i adresohet si pronarit, ashtu edhe mbledhësit të zekatit. Secili urdhërohet të mos shtojë ose ndajë nga pasuria që posedon, për të përftuar një zekat më të ulët apo më të lartë. Përderisa pronari nga natyra e tij do të preferonte një zekat më të ulët për pasurinë e tij, ai sipas kësaj çështjeje do t’i kombinonte dhe do t’i ndante pasuritë e tij. E njëjta gjë vlen edhe për mbledhësin e zekatit, i cili mund të dojë të mbledhë sa më shumë zekat që të jetë e mundur. Duke përdorur frazën “khashjetus-sadaka” frikë e sadakasë, Profeti (a.s.) nënkupton se ajo mund të ulej dhe rritej, përderisa të dyja alternativat janë të mundshme. Kjo tregon se ai nuk preferonte njërën zgjedhje në vend të tjetrës. Kështu, ai i mundësoi të dyja alternativat.

Sipas hanefive, kjo në një farë mënyre është një ndalesë për ndarjen e pasurisë së dikujt nga mbledhësi i zekatit, kështu që sadakaja e tij të mos rritet. Për shembull, nëse një njeri posedon 120 dele dhe ato ndahen në tre tufa nga 40 secila, zekati do të ishte tre dele. Një tjetër shembull: Nëse kemi ndonjë rast, kur dikush e bashkon pasurinë me një tjetër mundet që sadakaja të rritet. Për këtë, nëse dikush zotëron 101 dele dhe një tjetër ka po të njëjtin numër, atëherë mbledhësi i zekatit nëse i bashkon të dyja tufat, do të siguronte tre dele si pagesë për zekat, ndërkohë që sasia reale e detyrueshme për zekat është vetëm dy.

 

A ka ndikim kombinimi i kafshëve ?

Hanefitë janë të mendimit se, përderisa përcaktimi i zekatit është i përzier,

kombinimi i kafshëve nuk ka efekt. Nuk ka rëndësi nëse një kombinim i tillë bëhet ndërmjet ortakëve apo nëse ka dalë si përfundim për shkak të fqinjësisë. Nuk do të ketë zekat për bashkimin e pronave të ortakëve, vetëm në rast se secili prej tyre arrin një nisab. Për më tepër, ato duhet të kenë një bari të përbashkët, një vathë të përbashkët dhe një racë të përbashkët. Po ashtu, pronarët duhet të shprehin qëllimin për t’u bashkuar në pronësi. Pasuria e secilit duhet të njihet, përndryshe ata do të konsiderohen si ortakë. Në këtë rast, secili individ duhet të jetë i përgjegjshëm për nxjerrjen e zekatit dhe duhet të jetë i njohur me rregullat e tij. Përzierja ndikon vetëm në gjënë e gjallë. Çfarë merret si zekat do të shpërndahet ndërmjet ortakëve në përputhje me pjesën e gjithësecilit.

Sipas shafive çdo pjesë e kombinimit ndikon në zekat dhe në këtë mënyrë zekati bëhet detyrë për t’u paguar për dy ose më shumë pjesë të pasurisë së bashkuar.

Kjo mund të ketë efekt mbi sasinë e detyruar të zekatit. Për shembull, nëse një burrë apo dy burra që posedojnë secili nga 20 dele dhe i bashkojnë dhentë e tyre, zekati i tyre në këtë rast është një dele, por nëse nuk i bashkojnë, atëherë nuk ka zekat për asnjërin. Nga ana tjetër, bashkimi i 101 dhenve me të njëjtin numër rezulton për një zekat prej një dele e gjysmë për secilin. Megjithatë, nëse tufat e dhenve do të llogariteshin veçmas, atëherë zekati i detyruar për secilën tufë do të ishte vetëm një dele. Në rastin e tre bashkimeve, ku secili prej tyre ka 40 dele e në rast se i bashkojnë ato, zekati i detyruar është një dele, që do të thotë se zekati i detyrueshëm për çdo ortak është 1/3 e një deleje. Megjithatë, nëse këtë çështje e trajtojmë veçmas, secili duhet të paguajë nga një dele. Për më tepër, duke vijuar në këtë temë, shafitë kushtëzojnë disa gjëra të tjera, si më poshtë:

1- Ortakët duhet ta përshkruajnë financiarisht se do të paguajnë zekatin.

2- Pausria e tyre duhet të arrijë nisabin.

3- Zekati i tij është i detyrueshëm në fund të vitit.

4- Asnjë nga pasuritë nuk veçohet nga të tjerat si vatha e pushimit, hapësira për kullotje, ujitja, barinjtë, vendi ku ato milen etj.

5- Tufat e të njëjtit lloji mbarështohen nga i njëjti dash.

Ahmedi bie dakord me Shafiun, përveç faktit se ai i kufizoi efektet e bashkimit tek kafshët e kullotës dhe nuk i merr në konsideratë pasuritë e tjera.

 

ZEKATI PËR THESARET E FSHEHURA DHE MINERALET E ÇMUARA

 

Termi rikaz nga ana etimologjike rrjedh nga fjala “rakaza”, që në gjuhën arabe do të thotë “diçka e fshehur”. Allahu i Madhëruar thotë:

وَكَمْ أَهْلَكْنَا قَبْلَهُمْ مِنْ قَرْنٍ هَلْ تُحِسُّ مِنْهُمْ مِنْ أَحَدٍ أَوْ تَسْمَعُ لَهُمْ رِكْزًا

A po vëreni ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?” (Merjem, 98). Në këtë kontekst, kjo i referohet asaj çfarë ruhej, groposej dhe fshihej në kohën e injorancës (periudha paraislame)[123].

Maliku dhe shumë dijetarë të tjerë janë të mendimit që rikaz do të thotë objekt i groposur, siç bënin arabët përpara se të përqafonin Islamin. Që të quhet rikaz, objekti duhet të gjendet pa përpjekje, vështirësi dhe shpenzime. Nëse nuk plotësohen këto kushte, atëherë ai nuk konsiderohet rikaz.

Ebu Hanife është i mendimit që rikaz është emri i një subjekti të fshehur nga Krijuesi ose nga krijesa e Tij, njeriu.

 

Vlerësimi i mineraleve dhe kushteve të tyre për zekat

Termi ma’din (mineral) vjen nga fjala “adana” që do të thotë “të qëndrosh”, pra të qëndruarit e diçkaje në një vend.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme për mineralet për të cilat jepet zekat.

Ahmedi ka mendimin se gjithçka e nxjerrë nga toka, që formohet brenda saj, apo e groposur nga njeriu dhe ka vlerë si (ari, argjendi, hekuri, bakri, çeliku, zafirët, agatet, katrani, kristali, arseniku, nafta, squfuri etj.) është detyrim të jepet zekat për to. Megjithatë, ai e kushtëzon faktin që mineralet e nxjerra duhet të arrijnë sasinë e nisabit, qoftë vetë ose me vlerën e tyre.

Ebu Hanife është i mendimit se zekati paguhet për çdo mineral që mund të merret siç është ose mund të shkrihet nga zjarri si: ari, argjendi, hekuri ose bakri. Përsa i përket lëngjeve si katrani ose mineraleve të ngurta që nuk mund të shkrihen nga zjarri si rubinët, për to nuk kushtëzohet nisabi. Në rastin e parë, administrimi i nisabit nuk është kusht prioritar. Për ato raste kur merret zekat, sasia është një e pesta e tij, sado qoftë ajo sasi, shumë apo pak.

Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se zekati jepet vetëm për arin dhe argjendin jepet. Ashtu si Ahmedi, ata insistojnë se ari duhet të peshojë të paktën 20 mithkal (peshë e barabartë me 4. 68 gr) dhe argjendi të paktën të ketë vlerën e 200 derhemëve. Ata bien dakord me hanefitë që këto minerale nuk e kanë të nevojshme plotësimin e një viti për të paguar zekat. Zekati për to bëhet i detyrueshëm në çdo kohë që kjo sasi është e vlefshme.

Sipas dijetarëve të mësipërm, duhet të ndiqen procedurat e ngjashme me zekatin në përgjithësi në shpërndarjen e këtij lloji zekati. Për Ebu Hanifen kjo shpërndarje është e ngjashme me atë të plaçkës së luftës.

 

Legjitimiteti i zekatit për thesarin dhe mineralet

Qenia detyrim e zekatit për thesarin dhe mineralet tregohet në thënien e Ebu

Hurejrës. Ai tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka kompensim për një të vrarë ose të plagosur nga një kafshë, për atë që bie në pus ose nga dëmtimi (vdekja) gjatë punës në minierë, por një e pesta e thesarit është e detyrueshme”.[124]

Ibën El Mundhir thotë se ai nuk njeh ndonjë që ta kundërshtojë këtë hadith, përveç El Hasanit që bën dallime midis asaj që është në tokën e luftës dhe asaj që ndodhet në tokën islame. Pikëpamja e tij mbron idenë se, nëse rikazi gjendet në tokën e luftës, atëherë është e detyrueshme që të jepet një e pesta e nëse gjendet në tokën islame do t’i nënshtrohet zekatit të rregullt.

Duke e shpjeguar frazën “Nuk ka kompensim për dëmtimin gjatë punës në minierë”, Ibën El Kajimi thotë se ka dy interpretime për këtë thënie:

Interpretimi i parë është se, gjithmonë kur dikush paguan dikë për të gërmuar një minierë dhe pastaj bie në të dhe vritet, nuk ka kompensim për të. Ky mendim mbrohet nga thënia e Profetit (a.s.): “Nuk ka kompensim për një të vrarë ose të plagosur nga një kafshë dhe për atë që bie në pus”.

Interpretimi i dytë është se nuk ka zekat për mineralet. Ky mendim mbrohet nga thënia e Profetit: “… por një e pesta e thesarit është e detyrueshme”. Kështu, ai bëri dallim midis mineraleve “ma’din” dhe thesarit “rikaz”. Ai e bëri të detyrueshëm zekatin për rikazin, pasi është një pasuri e fituar pa kosto apo përpjekje. Ai përjashtoi mineralet “ma’din” nga zekati, pasi ato kërkojnë shpenzime dhe përpjekje të mëdha për t’u nxjerrë mbi sipërfaqen e tokës.

 

Rikazi për të cilin paguhet zekat

Rikaz janë të gjitha ato substanca me vlerë, për të cilat paguhet një e pesta si: floriri, argjendi, hekuri, bronxi dhe të tjera të ngjashme me to. Ky është mendimi i hanefive, hanbelive, Is’hakut, dhe Ibën El Mundhirit. Një transmetim nga Maliku dhe një nga dy mendimet e Shafiut e mbështesin atë. Gjithashtu, në një thënie tjetër Shafiu mbron idenë që një e pesta është detyrim vetëm për arin dhe argjendin.

 

Vendi i rikazit (thesarit)

Thesari mund të gjendet në vendet e mëposhtme:

1- Në një tokë djerrë, në një tokë që nuk i njihet pronari ose në një rrugë të vështirë apo në ndonjë fshat të rrënuar. Në këtë rast duhet paguar një e pesta (1/5) dhe ai i cili e gjen atë, mund t’i mbajë katër të pestat (4/5) për veten e tij. Kjo është e bazuar nga Nesaiu në një transmetim nga Amër ibën Shuajbi, ai nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij, i cili ka thënë se kur është pyetur i Dërguari i Allahut rreth një gjetjeje fatlume, ai u përgjigj: “Për çdo gjë që është gjetur në një rrugë të përdorshme ose në një fshat të banuar, ajo mbahet duke u bërë publike për një vit. Nëse pronari e kërkon atë, është e tij.[125] Por, kur një artikull gjendet në një rrugë të pakalueshme ose në një fshat të pabanuar, atëherë për të dhe për thesarin paguhet një e pesta”.[126]

2- Nëse thesari gjendet nga dikush në tokën që i është dhënë, atëherë ai është i tij meqë është depozituar në tokë. Në të vërtetë pronarët zotërojnë tokën dhe atë çka është e dukshme mbi sipërfaqen e saj dhe jo atë që është poshtë saj. Në mënyrë të përafërt, kjo lloj gjetjeje bën pjesë në kategorinë e barit, drurit të zjarrit që gjenden në tokën që nuk është e tij. Ai mund t’i marrë ato në pronësinë e tij, nëse ai i cili e dha tokën nuk i kërkon ato. Nëse pronari i vërtetë i kërkon, ato do të jenë të tijat, pasi në origjinë toka i takonte atij. Ky është mendimi i Ebu Jusufit dhe hanbelive, të cilët e konsiderojnë atë si të vërtetë.

Shafiu thotë se ajo i takon pronarit që e dha tokën (nëse ai e kërkon) para tij dhe kështu me radhë derisa të kërkohet nga pronari i parë i saj. Kurdo që toka jepet përmes trashëgimisë, konsiderohet një trashëgimi. Nëse trashëgimtarët bien dakord se nuk i përkiste atij prej të cilit e trashëguan, atëherë ajo i përket pronarit fillestar. Nëse ai nuk dihet, atëherë ajo konsiderohet pronë e humbur e një pronari të panjohur. Ebu Hanife dhe Muhamedi thonë se ajo i përket pronarit fillestar të tokës ose trashëgimtarëve të tij nëse ata njihen, e nëse jo vendoset në pasurinë publike (Bejt El-Mal).

3- Nëse gjendet në tokën e muslimanëve ose të një jomuslimani të lirë, atëherë i përket pronarit të tokës, sipas Ebu Hanifes, Muhamedit dhe Ahmedit. Gjithashtu, transmetohet nga Ahmedi se ajo i përket atij që e gjen atë thesar. Edhe Hasan ibën Salih, Ebu Thauri dhe Ebu Jusuf e preferojnë këtë mendim. Ky mendim bazohet në besimin se thesari nuk është e thënë që të zotërohet me zotërimin e tokës, përveçse kur kërkohet nga ai vetë. Në këtë rast fjala e tij është vendimtare, pasi ai ka të drejtën mbi tokën. Nëse ai nuk e kërkon, ajo i përket atij që e gjen. Shafiu ka mendimin se i përket pronarit, nëse ai e kërkon e në të kundërt i përket pronarit fillestar.

 

Sasia e detyruar që duhet paguar për rikazin

Sasia e zekatit që duhet paguar për rikaz është një e pesta, ndërsa katër të pestat e mbetura i takojnë pronarit më të hershëm nëse ai është i njohur. Nëse ai ka vdekur, atëherë u takon trashëgimtarëve të tij, nëse ata njihen e në të kundërtën dorëzohen në thesarin publik të muslimanëve. Sipas Ebu Hanifes, Ahmedit dhe dy prej transmetimeve të sakta të Malikut dhe Shafiut, pavarësisht nga nisabi, duhet të jepet një e pesta. Ndërsa për plotësimin e vitit, të gjithë dijetarët janë të mendimit se nuk qëndron si kusht.

 

Kush duhet të paguajë një të pestën ?

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se një të pestën duhet ta paguajë çdokush që gjen një thesar, qoftë ai musliman, një njeri i lirë jomusliman (dhimi), i ri, i vjetër, i shëndoshë ose jo nga ana mendore. Kujdestarët e të rinjve dhe ata të sëmurëve mendorë, duhet ta paguajnë atë me përgjegjësinë e tyre. Ibën El Mundhiri komenton se të gjithë dijetarët bien dakord se “dhimiu” që gjen rikaz duhet ta paguajë një të pestën e tij. Gjithashtu, ky është mendimi i Malikut, dijetarëve të Medines, El Thaurit, Auzait, hanefive, dijetarëve të Irakut dhe të tjerëve.

Shafiu pohon se një e pesta është e detyrueshme vetëm për ata persona që janë të detyruar të paguajnë zekatin.

 

Shpërndarja e 1/5 së thesarit

Sipas Shafiut, shpërndarja e një të pestës është e njëjtë me atë të zekatit.

Ahmedi dhe Bejhakiu tregojnë nga Bishr El Hathami se një burrë nga fisi i tij kishte thënë: “Kur isha në Kufe më ra në dorë një vazo nga një manastir i vjetër. Në të ishin 4000 derhemë. E çova tek Aliu (r.a.) dhe më tha ta ndaja në pesë pjesë dhe ashtu veprova. Pastaj, Aliu (r.a.) mori një nga ato pesë pjesë dhe më la mua katër. Kur u nisa, ai më thirri dhe më pyeti nëse kishte persona nevojtarë afër meje. Iu përgjigja se kishte dhe ai ma ktheu sërish një të pestën dhe kërkoi t’ua ndaja atyre”.[127]

Ebu Hanife, Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se shpërndarja e tij është e ngjashme me atë të plaçkës së luftës.

Sha’biu tregon se një njeri gjatë rrugës për në Medine gjeti 1000 dinarë të futura nën dhé. Ai ia dorëzoi Umer ibën Hatabit, i cili mori një të pestën, pra 200 dinarë dhe pjesën tjetër ia dha burrit që e gjeti. Umeri (r.a.) filloi t’ua shpërndante 200 dinarët muslimanëve që ishin të pranishëm. Në fund mbetën pak dinarë dhe ai pyeti: “Ku është ai që i gjeti këto dinarë?” Kur burri u përgjigj, Umeri (r.a.) i tha atij t’i merrte ato dinarë që kishin mbetur se ishin të tij.[128]

Në “El Mugni” thuhet se po të ishte si zekati, ai nuk do t’ia kthente personit që i gjeti dhe do t’ua shpërndante atyre që e meritonin. Për më tepër, një të pestën e rikazit duhet ta japë edhe dhimiu, ndërsa zekati nuk është detyrim për të.

 

 

ZEKATI PËR PASURINË E NXJERRË NGA DETI

 

Shumica e dijetarëve bien dakord që zekati nuk paguhet për çdo gjë që nxirret nga deti si: perlat, koralet, qelibarët, peshqit e kështu me radhë. Megjithatë, ka një transmetim nga Ahmedi se, nëse sasia e nxjerrë arrin nisabin, zekati është i detyrueshëm për të. Ebu Jusufi bie dakord me të në rastin e perlave dhe kashalotit, pasi është një objekt që e nxjerr vetë deti. Xhabiri ka thënë që nuk ka zekat për kashalotin, por atë e merr ai që e gjen.

 

Përfitimi i pasurisë nëpërmjet grumbullimit të saj

Kur dikush grumbullon pasuri që ka arritur vlerën e nisabit dhe e zotëron për një vit, duke mos pasur pasuri tjetër ose ka pasuri të ngjashme me të parën, por që nuk e ka arritur nisabin, përveç nëse i shtohet pasuria e përftuar, atëherë viti i zekatit fillon të llogaritet që në momentin e parë të zotërimit të tij. Zekati do të paguhet në fund të plotësimit të haulit. Në këtë rast, pasuria e përftuar mund të klasifikohet në këto kategori të mundshme:

  1. Sendet e përftuara rriten në vlerë, si nga fitimet e tregëtisë, ashtu dhe nga rritja në prodhimin e kafshëve. Për këto lloj pasurish aplikohet zekati dhe hauli. Nëse malli i tregtisë apo kafshët e dikujt përmbushin vlerën e nisabit dhe biznesi i tij sjell fitime apo kafshët riprodhohen gjatë periudhës së haulit, personi duhet t’i llogarisë si pasuritë e para, ashtu dhe shtesat si një të tërë për zekat. Nuk ka diskutime midis dijetarëve për këtë.
  2. Përsa i përket pasurisë së mbledhur, e cila është në të njëjtën kategori me nisabin e arritur por që nuk ka rrjedhur prej tij, që do të thotë se është mbledhur përmes blerjes, dhuratës apo trashëgimisë. Ebu Hanife mbron idenë se kjo pasuri mund të bashkohet me nisabin, duke u bërë pjesë e tij në llogaritjen e haulit dhe pagesës së zekatit. Për këtë, pasuritë fillestare dhe fitimet bashkohen për të paguar taksën.

Shafiu dhe Ahmedi sugjerojnë që pasuritë e reja të fituara do të bashkohen me pasurinë fillestare që të përftojnë një nisab dhe që të fillojë llogaritja e një hauli të ri, pa dallim nëse pasuria fillestare ishte në valutë apo kafshë.

Për shembull, nëse dikush ka si pronë të tijën 200 derhemë dhe gjatë një viti arrin të marrë 200 të tjerë, ai duhet të paguajë zekat për të dyja shumat në fund të haulit, i cili fillon në momentin e përftimit të pronës së re. Mendimi i Malikut është i ngjashëm me atë të Ebu Hanifes përsa i përket kafshëve dhe i ngjashëm me atë të Ahmedit për floririn dhe argjendin.

  1. Sendet e përftuara që nuk janë të njëjta me ato që ka pasur në zotërim personi. Për këtë, ato nuk mund të përzihen me njëra-tjetrën, si për nisabin ashtu dhe për numërimin e vitit të zekatit. Megjithatë, nëse sendet e fituara e arrijnë nisabin vetë, viti i tyre i zekatit do të llogaritet veçmas dhe pronari do ta paguajë zekatin e tyre në përfundim të vitit. Në mungesë të këtyre kushteve, asgjë nuk aplikohet për këto sende në zotërim. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

 

Zekati është përgjegjësi e pronarit dhe jo e pronës

Hanefitë, malikitë dhe një transmetim nga Shafiu dhe Ahmedi hedhin idenë që është prona, ajo për të cilën detyrohet zekati. Mendimi i dytë është ai i Shafiut dhe Ahmedit, që thonë se zekati është përgjegjësi në ndërgjegjen e pronarit dhe jo për shkak të ekzistimit të pronës. Ndryshimi midis dy mendimeve është i qartë:

Për shembull, nëse dikush ka në zotërim 200 derhemë dhe nuk ka paguar zekat

për këtë shumë për dy vjet. Mendimi që thotë se zekati është i detyrueshëm për vetë pronën, thotë se sasia e detyruar për t’u paguar është ajo e një viti, përderisa pas kësaj sasia ulet me pesë derhemë, që ishte sasia detyruar e zekatit për t’u paguar në fund të vitit të parë.

Mendimi i dytë që e quan zekatin përgjegjësi të pronarit, thotë se ai duhet ta paguajë zekatin dy herë, një për çdo vit, pasi zekati është përgjegjësi e pronarit dhe nuk ndikohet nga ulja e nisabit.

Ibën Hazmi favorizon mendimin e të qënit përgjegjësi e pronarit.

Sipas tij nuk ka patur mendime të ndryshme midis muslimanëve të kohës së Profetit (a.s.) deri në fund të saj për sa i përket dhënies së zekatit për grurin, elbin, hurmat, argjendin, floririn, devetë, gjedhin dhe bagëtitë. Për zekatin nga një grumbull i ndryshëm gruri, elbi, hurme, argjendi, ari, devesh, gjedhi dhe bagëtie, ai thotë se nuk ka rëndësi, nëse personi e paguan atë nga e njëjta sasi, nga një sasi tjetër që është pronë e tij apo nga një sasi që mund të jetë blerë, marrë si dhuratë ose marrë hua.

Bindja se zekati është një përgjegjësi e pronarit dhe jo e pronës është një parim i saktë, pasi nëse zekati bëhet i detyrueshëm për pronën, pronarit nuk do t’i lejohej të paguante zekatin nga një sasi tjetër. Kjo është e ngjashme me rastin kur një ortaku i është ndaluar dhënia e parave të dala nga një burim tjetër nga ai i lidhjes së tyre, përjashtuar këtu rastin kur ortaku e lejon vetë një gjë të tillë dhe kjo gjë nuk shkel kushtet e kontratës midis tyre. Për më tepër, nëse zekati do të ishte i detyrueshëm për vetë pronën mund të dalin vetëm dy situata:

Në rastin e parë zekati paguhet për të gjitha pjesët e asaj prone dhe aplikohet për çdo sasi të veçantë të saj, pa veçuar ndonjë prej këtyre pronave.

Në rastin e dytë, nëse aplikohet për çdo pjesë të saj, nuk lejohet të shesësh nga ndonjë drith apo tufë (bagëtish), përderisa mbledhësit e zekatit në këtë rast do të bëheshin ortakë. Kështu, pronarit nuk i lejohet të marrë asgjë nga kjo pronë. Kjo është e ndaluar pa asnjë kundërshtim. Për më tepër do të jetë e detyrueshme për pronarin të specifikojë në mënyrë të saktë çmimin e bagëtisë që ai dëshiron të japë për zekat, ashtu siç bëhen ndërmjet një grupi ortakësh.

Nëse zekati është i detyrueshëm për çdo pjesë të pronës, sesa për të, atëherë ai bëhet i pavlefshëm. Kjo qëndron për një rast të tillë, përderisa ai nuk di dhe mund ta shesë apo to konsumojë atë që duhet t’ia japë mbledhësit të sadakasë. Kjo sjell si rezultat ato çka thamë më sipër.

 

Humbja e pasurisë, pasi zekati është bërë i detyrueshëm për të

Kur zekati është bërë i detryrueshëm për t’u paguar mbi pasurinë e dikujt, qoftë si pasojë e plotësimit të vitit apo të kohës së të vjelave dhe një pjesë e pasurisë ose e gjitha humbin, pronari përsëri është i detyruar ta paguajë zekatin për të. Nuk ka rëndësi nëse humbja ka ndodhur si neglizhencë e pronarit apo jo. Ky është mendimi i Ibën Hazmit dhe mendimi më i njohur nga hanbelitë. Ebu Hanife mbron idenë se ndalohet pagesa e zekatit, nëse e gjithë prona zhduket, pa pasur pronari dorë në shkatërrimin e saj. Kur një pjesë e saj humbet, kjo pjesë nuk llogaritet për zekat. Kjo ka të bëjë me rregullin, se zekati është i lidhur me vetë pronën.

Zekati duhet paguar, kur pronari e shkatërron vetë pronën e tij. Shafiu, Hasan ibën Salih, Is’haku, Ebu Thauri dhe Ibën El Mundhiri janë të mendimit se nëse nisabi zhduket përpara mundësisë për pagimin e zekatit, atëherë pronari nuk detyrohet të paguajë gjë.

Nëse zhduket pas krijimit të mundësisë për dhënien e tij, pronari duhet ta paguajë zekatin.

Ibën Kudame është i mendimit se ndalohet pagesa e zekatit, kur pasuria zhduket pa asnjë lloj neglizhence nga ana e pronarit. Kjo, pasi ai është i detyrueshëm për shkak të bamirësisë kur një pronë është ekzistente dhe nuk ka për qëllim varfërimin e paguesit të zekatit. Në këtë kontekst neglizhenca nënkupton se pronari e ka mbledhur nisabin dhe në këtë mënyrë ai ka pasur mundësi të paguante zekat, por ai nuk e bëri këtë dhe pasuria e tij humbi. Në të kundërt, nëse ai nuk e ka zotëruar nisabin e plotë ose ajo nuk ka qenë pronë e tij, apo ka qenë për t’u blerë dhe ai nuk mundi, kjo nuk përbën një rast neglizhence.

Po kështu, nëse supozohet që detyrimi për të paguar zekatin është i vlefshëm edhe pasi prona ka humbur dhe pronari ka mënyra për ta paguar, ai duhet ta paguajë atë. Përndryshe, atij duhet t’i garantohet një shtyrje e afatit, në mënyrë që ta plotësojë detyrimin e zekatit. Kjo është e ngjashme me një borxh, të cilin i detyrohesh dikujt, por borxhi që i detyrohesh Allahut është më me përparësi.

 

Humbja e zekatit, pasi është lënë mënjanë për t’u paguar

Kur dikush lë mënjanë zekatin që do t’ua shpërndante të varfërve dhe ai zekat ose një pjesë e tij humbet, personi duhet ta ripaguajë atë, pasi është ende përgjegjësi e tij.

Ibën Hazmi thotë se njeh një transmetim nga Ibën Ebu Shejbe nga Hafs ibën Gajath, Xhariri, El Mutemir ibën Sulejman Et Tejmi, Zejd ibën El Habab dhe Abdulvahab ibën Atau dhe po ashtu edhe nga Hafsi, i cili transmeton nga Hisham ibën Hasan nga Hasan El Basri. Xhariri ka thënë se transmetohet nga El Mugire e ai nga shokët e tij dhe El Muatemir transmeton nga Muamar dhe ky nga Hamadi dhe Zejdi ka thënë se është transmetuar nga Shuabe e ai nga El Hakem. Abdulvahabi transmeton nga Ibën Ebu Aruba dhe ky nga Hamadi ai nga Ibrahim Nahai. Të gjithë ata kanë rënë dakord se kushdo që lë mënjanë zekatin nga pasuria e tij dhe ai humbet, detyrimi për të paguar zekatin qëndron akoma dhe personi duhet ta mbledhë sërish atë.

Megjithatë, ekziston një mendim tjetër për këtë. Ibën Hazmi thotë: “Sipas një transmetimi të Ataut, detyrimi do të binte si detyrim, nëse zekati i hequr mënjanë do të humbiste”.

 

Vonimi i pagesës së zekatit nuk e mënjanon atë

Shafiu është i mendimit se, nëse dikush e vonon pagimin e zekatit për disa vjet, duhet ta paguajë atë për të gjitha vitet e lëna së bashku. Nuk ka rëndësi nëse ai ishte apo jo në dijeni të pagimit të tij dhe nuk ka ndryshim, nëse është në një territor musliman apo jomusliman.

Duke u bazuar në mendimin e Malikut, Shafiut dhe Ebu Thaurit, Ibën El Mundhiri thotë: “Kur njerëzit e padrejtë drejtojnë një vend dhe njerëzit e tij nuk e paguajnë zekatin për disa vjet, atëherë udhëheqësi i ri duhet t’ua marrë atyre atë zekat”.

 

Pagesa e një vlere në vend të vetë mallit

Nuk lejohet të paguash vlerë (monetare) për vetë mallin, vetëm në rast mosekzistence, pasi zekati është një akt adhurimi që mund të përmbushet vetëm sipas disa mënyrave të veçanta, nëpërmjet të cilave të pasurit e ndajnë pasurinë e tyre me të varfërit.

Muadhi transmeton se Profeti (a.s.) e dërgoi atë në Jemen dhe i tha: “Merr drithëra nga drithërat e tyre, bagëti nga bagëtitë e tyre, deve nga devetë e tyre dhe lopë nga lopët e tyre”.[129] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Bejhakiu dhe Hakimi. Është për t’u vënë re se ka një ndërprerje në zinxhirin e këtij hadithi, pasi Atau nuk e ka dëgjuar vetë atë nga Muadhi.

Duke e kundërshtuar zëvendësimin, Sheukani thotë: “E vërteta e çështjes qëndron në atë se zekati është i detyruar për vetë mallin dhe nuk duhet zëvendësuar me vlerën e tij, vetëm në rast kur ka një arsye të vlefshme për të”.

Ebu Hanife e lejon pranimin e vlerës, qoftë edhe kur individi ka mundësi ta paguajë me vetë mallin. Kjo, pasi zekati është e drejtë e të varfërve dhe ai beson se nuk ka ndryshim nëse paguhet me mallin përkatës apo me diçka tjetër të së njëjtës vlerë. Buhariu përmend në formën mualak (pa zinxhir) se Muadhi i kërkoi njerëzve të Jemenit të jepnin si zekat materiale ose tesha të mëndafsha dhe veshje të tjera, në vend të elbit dhe misrit, pasi kjo gjë ishte më e lehtë për ta dhe më e mirë për shokët e Pejgamberit a.s. në Medine.[130]

 

Zekati për pronën e përbashkët

Kur pasuria është pronë e përbashkët e dy ose më shumë ortakëve, zekati nuk është i detyrueshëm për asnjërin prej tyre, përderisa ata të gjithë në mënyrë individuale të arrijnë vlerën e nisabit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Kjo nuk përfshin bashkimin e kafshëve, për të cilat është diskutuar më sipër.

 

Shmangia nga pagesa e zekatit

Mendimi i Malikut, Euzait, Is’hakut, Ahmedit dhe Ebu Ubejdes është se, kushdo që zotëron një nisab për çfarëdolloj pasurie dhe pastaj e shet përpara përfundimit të haulit, e jep si dhuratë ose e dëmton një pjesë të tij me qëllim shmangien nga një pjesë e zekatit, ai duhet ta paguajë zekatin e pronës së tij. Nëse ai e angazhon veten në një nga veprat e mësipërme, në një kohë kur obligimi i tij për të paguar zekatin është gati për t’u plotësuar, ai duhet të detyrohet me forcë ta paguajë atë. Nëse ndonjë nga veprimet e mësipërme ndodh në fillim të haulit, kjo nuk do të ishte një shkelje dhe ai nuk do të ishte i detyruar ligjërisht ta paguante zekatin, ngase kjo nuk do të ishte në pozitën e shmangies.

Ebu Hanife dhe Shafiu janë të mendimit se, përderisa sasia është e zvogëluar përpara plotësimit të haulit, zekati nuk duhet të paguhet. Megjithatë, ai përsëri do të konsiderohet një njeri gabimtar dhe mosbindës ndaj Allahut, duke u përpjekur t’i shmanget zekatit. Ata që përfaqësojnë mendimin e parë e bazojnë gjykimin e tyre mbi ajetet, në të cilat Allahu i Madhëruar thotë:

 

إِنَّا بَلَوْنَاهُمْ كَمَا بَلَوْنَا أَصْحَابَ الْجَنَّةِ إِذْ أَقْسَمُوا لَيَصْرِمُنَّهَا مُصْبِحِينَ(وَلاَ يَسْتَثْنُونَ(فَطَافَ عَلَيْهَا طَائِفٌ مِنْ رَبِّكَ وَهُمْ نَائِمُونَ)فَأَصْبَحَتْ كَالصَّرِيمِ)فَتَنَادَوا مُصْبِحِينَ

“Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat; e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti!” Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin  dhe gdhiu i përvjelë”. (El-Kalem, 17-20)

Si i tillë, zekati do të vazhdojë të jetë detyrë për personin, pasi njerëzit, për të cilët flitet në ajetin e mësipërm kishin për qëllim t’u hiqnin të varfërve të drejtën që ata kishin nga pjesa e pasurisë së tij.

Kjo do të ishte e ngjashme me rastin e një burri, i cili e ndan gruan e tij, duke qenë me një sëmundje të pashërueshme. Në këtë rast qëllimi i tij djallëzor kërkon një ndëshkim. Një rast tjetër i kësaj natyre do të ishte i atij personi që vret të afërmin e tij për të shpejtuar sa më shumë marrjen e trashëgimisë. Në atë rast, Zoti e dënon atë duke e lënë mënjanë nga trashëgimia e tij.

 

 

PËRFITUESIT E ZEKATIT

 

Ka tetë kategori që përfitojnë zekat, të cilat Allahu i ka qartësuar në Kuran. Ai thotë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَاِبْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنْ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“Lëmosha e zeqatit u takon vetëm të varfërve, nevojtarëve, atyre që e mbledhin atë për ta qeverisur dhe atyre që u duhet fituar zemra (drejt Islamit); dhe për lirim nga skllavëria, të ngarkuarve në borxhe, dhe për rrugën e Allahut, dhe udhëtarit të rastit. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Se, me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Et-Teube, 60)

Zijad ibën El Harith Es Sudai tregon: “Shkova te i Dërguari i Allahut dhe i dhashë besën. Pastaj erdhi një burrë dhe i tha Profetit (a.s.): “Më jep një pjesë nga sadakaja e mbledhur”. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Zoti nuk e ka lënë çështjen e sadakasë të vendoset nga Profeti apo nga ndonjë tjetër. Ai vetë i ka klasifikuar në tetë grupe. Nëse bën pjesë në njërin prej tyre do të jap pjesën tënde”.[131] Transmetohet nga Ebu Daudi, megjithëse në zinxhirin e këtij transmetimi është edhe Abdurrahman El Afriti, i cili ka disa cilësi që lënë vend për diskutim.

Më poshtë do të japim një shtjellim të tetë grupeve që përfitojnë zekat:

 

1- Të varfërit:

I varfër është ai që nuk ka pasuri për të plotëuar nevojat e tij dhe nevojat e atyre për të cilët ai është përgjegjës në ushqim, veshmbathje dhe strehim,të cilat janë nevoja të domosdoshme.

 

2- Nevojtari:

Ky është si i varfëri dhe hyn nën një përkufizim. Mund të jetë më pak i varfër ose më tepër në hall nga vetë i varfëri. Profeti (a.s.) e ka përkufizuar nevojtarin (miskinin) kur thotë se: “Nevojtar nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që nuk i plotëson nevojat e tij dhe kushtet e të cilit nuk njihen nga të tjerët. Kështu, sadakaja i jepet atij dhe ai nuk lyp nga njerëzit”.[132]

Siç është thënë, një person konsiderohet i pasur nëse posedon nisabin, që është sasia e tepërt e nevojave të tij thelbësore dhe e personave për të cilët ai përgjigjet. Për shembull; ushqimi, pija, veshmbathja, strehimi, kafshët, mjetet e punës dhe nevoja të tjera të ngjashme. Kështu, nëse dikush që nuk zotëron këto, konsiderohet i varfër dhe i takon të marrë zekat. Profeti (a.s.) thotë në lidhje me zekatin: “Merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”.[133]

Këtu nuk është bërë ndonjë dallim midis të varfërve dhe nevojtarëve përsa i përket nevojës, varfërisë dhe të drejtës për të marrë zekat. Të dy grupet janë bashkuar në ajetet e mësipërme kuranore me lidhëzën e nevojshme, kështu që mund të ndahen nga njëri-tjetri. Kjo nuk e kundërshton ndarjen e miskinëve si nëngrup i të varfërve. Kurani i përmend ata, pasi për shkak të modestisë së tyre, mund të ngelen pa vënë re.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nevojtari nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që ka shumë turp të kërkojë. Nëse doni, lexoni ajetin kuranor: لاَ يَسْأَلُونَ النَّاسَ إِلْحَافًا …ata nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit”. (El-Bekare, 273)[134]

Në një variant tjetër të këtij transmetimi thuhet: “Nevojtari nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që nuk i plotëson nevojat e tij dhe kushtet e të cilit nuk njihen nga të tjerët. Kështu, sadakaja i jepet atij dhe ai nuk lyp nga njerëzit”.[135] Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

 

Sasia e zekatit që u jepet të varfërve

Zekati ka për qëllim ta mbështesë të varfërin dhe të plotësojë nevojat e tij. Një sasi e caktuar jepet për këtë në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar gjendjen e tyre të varfërisë. Kjo shumë ndryshon në varësi të rrethanave dhe individëve.

Omeri (r.a.) tregon: “Nëse ju ndodh të jepni (sadaka), duhet të jepni aq sa për të plotësuar nevojat e dikujt”.[136]

Kadi Abduluahabi thotë se Maliku kurrë nuk vendosi një sasi që duhet dhënë.

Sipas tij, zekati mund t’i jepet dhe dikujt që ka një shtëpi, një shërbëtor dhe një kafshë (mjet transporti), përderisa është në nevojë. Rëndësia e hadithit të mësipërm është e qartë; të kërkuarit e ndihmës është e lejuar për një person të varfër, derisa ai të gjejë çfarë i nevojitet për jetesën e tij dhe të shpëtojë nga nevojat.

Kabisa ibën Muharik El Hilali tregon: “Kisha një borxh, shkova tek Profeti (a.s.) dhe i kërkova ndihmë. Ai u përgjigj: “Prit, derisa të kemi fondet e sadakasë dhe atëherë ne do të japim një pjesë”. Pastaj tha: “O Kabisa! Të kërkuarit (lypja) është e lejuar vetëm për tre grupe: Një burrë që është me borxhe, për rastin e tij lejohet të kërkojë, derisa ta kalojë hallin; një njeri që e ka kapur fatkeqësia dhe i prish pronat e tij, gjë që e lejon për të marrë, derisa të jetë në gjendje që të fitojë jetesën (ose Profeti ka thënë: …çfarë plotëson nevojat e tij dhe e bën të ketë mundësi të sigurojë çfarë i duhet për vete); një njeri që është i varfër, kur tre persona me rëndësi nga njerëzit e mençur dëshmojnë për situatën e tij të vështirë. Ai do të kërkojë derisa të gjejë një mënyrë për të mbajtur veten. (ose ai ka thënë thënë : “…çfarë plotëson nevojat e tij dhe e bën të ketë mundësi të sigurojë çfarë i duhet për vete)”. Më pas, Profeti (a.s.) ka vazhduar: “Për raste të tjera o Kabisa, nuk lejohet. Një person që merr duke lypur për një qëllim tjetër do të jetë duke konsumuar ose duke ngrënë një pronë të ndaluar”.[137] Transmetohet nga Muslimi, Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

 

A i jepet zekat atij që punon?

Personat që janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë mundësi të punojnë nuk përfshihen në zekat. Trajtimi i tyre është i ngjashëm me atë të të pasurve.

 

1- Ubejdullah ibën Adij El Hijar transmeton: “Dy burra më thanë se kishin shkuar tek Profeti (a.s.) në haxhin e lamtumirës gjatë shpërndarjes së zekatit. Ata i kishin kërkuar atij ndihmë. Ai u kishte hedhur një vështrim nga koka tek këmbët dhe kishte parë që ata ishin të fuqishëm e më pas u kishte thënë: “Nëse dëshironi, unë do t’ua jap, por nuk ka hise për atë që është i pasur dhe as për atë që është i fortë dhe mund të fitojë”.[138] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Përsa i përket vlerave të këtij hadithi, El Hatabi thotë se ai siguron kriterin që, nëse një person njihet që nuk ka mjete apo mënyra të mjaftueshme për të siguruar jetesën, ai llogaritet i varfër. Gjithashtu, hadithi siguron rregullin që, nëse dikush është i fuqishëm, nuk përjashtohet nga marrja e zekatit, vetëm nëse të ardhurat e tij duhen bërë të ditura, pasi ka disa njerëz që janë të fortë në trup, por për një arsye apo për një tjetër nuk mund të punojnë. Njerëz të tillë, sipas hadithit, përfshihen në zekat.

 

2- Transmetohet nga Rejhan ibën Jezid dhe ai nga Abdullah ibën Amër se Profeti (a.s.) ka thënë: “Sadakaja nuk lejohet as për të pasurit as për atë që është i fuqishëm, që ka trup të plotë dhe gjymtyrë të shëndetshëm”.[139] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson atë si të vërtetë.

Shafiu, Is’haku, Ebu Ubejd dhe Ahmedi e mbështesin këtë. Hanefitë thonë se një person i shëndetshëm dhe dhe në gjendje të mirë fizike mund të marrë sadaka, nëse nuk posedon të paktën 200 derhemë.

Neveviu thotë: “Është pyetur Gazaliu nëse lejohet t’i jepet zekat nga hisja e të varfërve një personi të aftë fizikisht që vjen nga një familje e pasur dhe nuk është mësuar me lodhje fizike për të fituar jetesën. Ai është përgjigjur se një gjë e tillë ishte e mundur”.

Ky është një rregull i pakundërshtueshëm që merr në konsideratë prirjet e personit.

 

Pronari që nuk plotëson nevojat e tij

Kur pronat e një personi arrijnë nisabin, por nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tij, për shkak të numrit të madh të personave të familjes së tij apo për shkak të kostos së lartë të jetesës, ai konsiderohet i pasur duke marrë parasysh se plotëson nisabin dhe zekati është i detyrueshëm për të. Në të njëjtën kohë ai konsiderohet edhe i varfër, pasi pronat e tij nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij. Si i tillë, atij duhet t’i jepet zekat, sikurse dhe të varfërit.

Neveviu thotë se dikush që ka një pjesë të pasurisë së patundshme, por nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij, duhet të konsiderohet i varfër dhe i mundshëm për atë sasi zekati që do t’i plotësonte atij ato nevoja. Në këtë mënyrë, ai nuk është i detyruar ta shesë pronën e tij.

Në “El Mugni” përmendet se El Mejmumi ka thënë: “Bisedova me Ebu Abdullahun (Ahmed ibën Hanbelin) dhe i thashë: “Një njeri mund të ketë deve dhe bagëti, për të cilat detyrohet zekati dhe prapë konsiderohet si i varfër. Ai mund të ketë në zotërim 40 dele ose mbase të ketë në pronësi një tokë dhe mos të jenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij. A do t’i lejohet këtij të përfitojë nga zekati?” Ai u përgjigj: “Po, pasi ai nuk zotëron atë që është e mjaftueshme për të dhe nuk është në gjendje të fitojë ato që ka nevojë. Në këtë rast i lejohet të marrë zekat dhe ajo çfarë ai ka në pronësi nuk bën pjesë në detyrimin e zekatit”.

 

3 – Mbledhësit e zekatit:

Këta janë punonjësit zyrtarë të caktuar nga udhëheqësi ose zëvendësi i tij, që merren me grumbullimin dhe regjistrimin e zekatit dhe marrin shpërblim për punën e tyre, edhe nëse janë të pasur. Midis tyre ka barinj që ruajnë bagëtitë e zekatit, ruajtës të zekatit dhe nëpunës për administrimin e tij. Ata duhet të jenë muslimanë dhe mos të jenë nga personat që nuk u lejohet zekati, që nënkupton familjen e Profetit (a.s.), që është Benu Hashim dhe Benu Abdul Mutalib.

Transmetohet nga el Mutalib ibën Rabia ibën Harith ibën Abdul Mutalib se ai dhe Fadël ibën Abasi shkuan tek Profeti (a.s.). Ai tregon se njëri prej tyre tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi ardhur që të na caktosh administrimin e zekatit, që të mbledhim bamirësitë që do t’u jepen njerëzve dhe t’ju japim atë që njerëzit nxjerrin për zekat”. I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Me të vërtetë zekati nuk duhet t’i jepet Muhamedit ose familjes së Muhamedit. Ato janë pasuri të përlyera të njerëzve”.[140] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Muslimi.

Njerëz të caktuar, megjithëse të pasur, prapë mund të përfitojnë zekat.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Sadakaja nuk u jepet të pasurve përveç pesë grupeve; mbledhësit të saj, një burrë që e ka blerë atë me pasurinë e tij, ai që ka borxhe, një luftëtar në rrugë të Allahut apo ndonjë nevojtar që merr ndonjë sadaka dhe ia dhuron ndonjë të pasuri”.[141] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Ky i fundit e vlerëson këtë hadith të vërtetë (sahih), sipas kritereve te Buhariut dhe Muslimit.

 

Mbledhësit e zekatit e marrin shpërblimin e tyre për punën e bërë nga zekati që është mbledhur

Abdullah ibën Seadi transmeton se ai erdhi nga Siria për të parë Umer ibën Hatabin, i cili e pyeti: “A është e vërtetë që ti bën një punë të caktuar për muslimanët dhe të jepet rrogë për të e ti nuk e pranon?” Ai iu përgjigj: “Po, është e vërtetë. Unë kam kuaj dhe robër, unë jam i pasur. Unë dua që puna ime të jetë bamirësi për muslimanët”. Atëherë Umeri (r.a.) i tha: “Dhe unë doja të njëjtën gjë, por Profeti (a.s.) më paguante. Unë i thosha t’ia jepte dikujt që ishte më i varfër se unë. Njëherë më dha para dhe i thashë: Jepja dikujt më nevojtar se unë. Atëherë Profeti (a.s.) më tha: “Merr nga ajo që Allahu i Madhëruar të jep nga begatitë e Tij, pa ia kërkuar ti dhe pa pasur lakmi për të. Kështu që merre dhe mbaje ose jepe për bamirësi dhe ajo që nuk jepet, nuk duhet të kërkohet”.[142] Transmetohet nga Buhariu dhe Nesaiu.

 

Pagat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë

El Mustaurid ibën Shedad transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush bën një punë për ne dhe nuk ka shtëpi, jepini mundësinë të ketë një shtëpi; nëse ai nuk është i martuar, jepini mundësinë të ketë një grua; nëse nuk ka shërbëtor, jepini mundësinë të ketë një shërbëtor; nëse nuk ka një kafshë shale, jepini mundësinë që ta ketë. Ai që kërkon diçka tjetër nga këto, e tepron”.[143] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.

Duke komentuar këtë temë, El Hatabi thotë: “Kjo mund të interpretohet në dy mënyra: E para; individit i lejohet një shërbëtor ose një shtëpi, duke i zbritur nga shpërblimet për punën e bërë, që janë të ngjashme me çdo lloj rroge tjetër. Atij nuk i lejohet të marrë asgjë tjetër. E dyta; punëtori i zekatit ka të drejtën të ketë një strehë dhe një shërbëtor. Nëse nuk ka një shtëpi ose një shërbëtor, dikush mund të paguhet për t’i shërbyer atij dhe një shtëpi mund të merret me qera për të, gjatë periudhës së qëndrimit të tij në këtë detyrë.

 

4- Bashkimi (zbutja) i zemrave

Kjo aplikohet fillimisht tek njerëzit, zemrat e të cilëve kanë një lidhje të zbehtë me Islamin dhe kjo lidhje ka nevojë të forcohet. Në këtë rast, zekati shpërndahet për të ruajtur muslimanët nga e keqja e tyre ose për të siguruar ndihmën e tyre në mbrojtje të muslimanëve. Juristët i ndajnë persona të tillë në muslimanë dhe jobesimtarë. Muslimanët ndahen në katër grupe:

 

– Udhëheqësit:

Njerëz që janë udhëheqës dhe të shquar ndërmjet muslimanëve dhe me influencë në mesin e të afërmve të tyre. I tillë është rasti i Ebu Bekrit (r.a.), kur i dha Adij ibën Hatimit dhe Zibarkan ibën Bedrit sadaka, për shkak të pozitës së tyre të lartë që gëzonin në mes të njerëzve të tyre.

 

– Udhëheqësit muslimanë me besim të dobët:

Këtu bëhet fjalë për njerëzit e ngritur që janë me besim të dobët dhe sapo kanë hyrë në Islam. Megjithatë, atyre ende u dëgjohet fjala në rrethin e tyre dhe, nëse u jepet sadaka dhe mendimi i tyre kërkohet në çështjen e xhihadit dhe në çështje të tjera, ata mund të forcojnë lidhjet e tyre me Islamin. Një rast i ngjashëm me këtë është ai i mekasve që u bënë muslimanë, pas çlirimit të Mekës. Profeti (a.s.) u dha një plaçkë të madhe lufte, pas fitores së tij mbi Huazanin. Shumica e tyre më vonë u bënë muslimanë shumë të mirë dhe të ndërgjegjshëm.

 

– Muslimanët që jetojnë në kufi:

Këta janë ata muslimanë që jetojnë brenda shtetit islam, por në kufi me vende jomuslimane. Kjo bëhet për t’i ndihmuar ata që të mbrojnë territorin islam të shtetit të tyre.

Autori i “El Menar” thotë se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e umetit. Juristët e vendosin atë nën kuotën e caktuar për çështjet në rrugë të Allahut. Kjo është e ngjashme me një ekspeditë ushtarake. Në kohën tonë njerëzit që më së shumti e meritojnë ndihmën tonë janë muslimanët, të cilët jobesimtarët i kanë kthyer në anën e tyre, duke i vënë nën mbrojtjen e tyre ose duke i kthyer në fenë e tyre. Ne kemi vënë re se fuqitë kolonizatore po punojnë për nënshtrimin e gjithë muslimanëve dhe po përpiqen t’i largojnë ata nga rruga e tyre. Shtete të tilla, caktojnë një sasi të caktuar nga burimet e tyre për të fituar zemrat e muslimanëve. Për disa ia kanë arritur duke i kthyer në Krishtërim dhe të tjerë janë ndikuar ose janë tërhequr në tutelën e tyre. Kjo po krijon probleme për shtetet muslimane dhe unitetin islam. Pra, a nuk e meritojnë këta muslimanë zekatin para të tjerëve?

– Zekati i nëpunësve:

Muslimanët që janë punësuar për të mbledhur zekatin, qoftë edhe me forcë nga ata që nuk duan ta japin, mund të kualifikohen si marrës të zekatit, pasi është më mirë që ata të përdoren për të ruajtur unitetin e muslimanëve. Mbështetja e tyre dhe marrja përsipër për të ndihmuar qeverinë është e keqja më e vogël dhe një zgjidhje e pëlqyeshme.

 

– Jobesimtarët

Ata ndahen në dy kategori:

1- Ata që hyjnë në Islam përmes zbutjes së zemrave të tyre. Ky ishtë rasti i Safuan ibën Umejes, të cilit Profeti (a.s.) i garantoi siguri ditën e çlirimit të Mekës. Profeti (a.s.) e lejoi atë të mendonte për gjendjen e tij katër muaj dhe në fund të zgjidhte vetë për veten e tij. Ai nuk ishte i pranishëm në atë kohë, por erdhi më vonë dhe u bashkua me muslimanët për të luftuar në betejën e Hunejnit, përpara se të pranonte Islamin. Profeti (a.s.) i mori hua armët e tij për ekspeditën e Hunejnit dhe kur u kthye i dha një numër të madh devesh, të ngarkuara me mallra, që ndodheshin në një luginë. Për këtë Safuani tha: “Kjo është një dhuratë nga dikush që nuk e ka frikë varfërinë. Pasha Allahun, Profeti (a.s.) m’i ka dhënë të gjitha këto dhe me të vërtetë ai ka qenë personi që unë e urreja shumë , por ai vazhdoi të më dhuronte gjëra, derisa u bë njeriu më i dashur për mua”.[144]

 

2- Sadaka u jepet edhe njerëzve, të cilëve u frikësohemi se mos na dëmtojnë dhe duke bërë këtë veprim shpresojmë në neutralizimin e armiqësisë së tyre. Ibën Abasi transmeton: “Një grup njerëzish vinin te Profeti (a.s.) dhe nëse ai u jepte atyre ndonjë gjë, ata e vlerësonin Islamin dhe thoshin: “Kjo është një fe e mirë”. Nëse ai nuk u jepte gjë, ata kritikonin dhe pretendonin se gjenin gabime te Islami”. Midis njerëzve të tillë ishte Ebu Sufjan ibën Harb, El Akra ibën Habis dhe Ujejna ibën Hisn. Profeti (a.s.) u dha atyre nga 100 deve secilit.[145]

Hanefitë janë të mendimit se pjesa e njerëzve të tillë nuk llogariten, kur shteti islam është i fuqishëm. Për shembull; Ujejna ibën Hisn, El Akra ibën Habis dhe Abas ibën Mirdasi shkuan te Ebu Bekri (r.a.) dhe i kërkuan pjesën e tyre. Ai u shkroi një letër, të cilën e morën dhe e çuan tek Umeri (r.a.). Ai e grisi letrën dhe u tha: “Kjo është diçka që Profeti (a.s.) ua jepte juve për t’ju pajtuar me Islamin. Tani Allahu e ka fortifikuar Islamin dhe nuk është e nevojshme ndihma juaj për fenë. Nëse nuk pajtoheni me Islamin, atëherë neve do të na ndajë shpata”. Pastaj Umeri (r.a.) lexoi ajetin vijues:

 

وَقُلْ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Thuaj se e vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë…” (Kuran: El Kehf 29). Ata më pas u kthyen te Ebu Bekri (r.a.) dhe i thanë: “Ti je kalifi apo Umeri? Ju shkruajtët një letër për ne dhe ai na e grisi”. Ebu Bekri (r.a.) u përgjigj: “Po qe se do ai”.

Hanefitë thonë: “Me të vërtetë Ebu Bekri (r.a.) ra dakord me fjalët e Umerit (r.a.) dhe asnjë nga sahabët nuk e kundërshtoi këtë. Po ashtu, nuk është transmetuar se Othmani (r.a.) dhe Aliu (r.a.) t’i kenë dhënë ndonjë gjë ndonjë personi të kësaj kategorie”.

Mund të themi se rasti në diskutim ishte gjykimi i vetë Umerit (r.a.). Ai vuri re se nuk do të kishte përfitim në zbutjen e këtyre njerëzve, pasi Islami kishte një pozitë të qëndrueshme tek njerëzit e tyre dhe nuk kishte asnjë rrezik të mundshëm, nëse ata e braktisnin fenë islame. Gjithashtu, nëse Othmani dhe Aliu e ndaluan së paguari këtë lloj pagese, kjo nuk do të thotë se detyrimisht rezervat për një gjë të tillë ishin tërhequr. Është e mundur se ndryshimi i rrethanave kërkonte ndërprejen e një dhurimi të tillë për jobesimtarët. Megjithatë, kjo nuk arrin deri në anulimin e fondit për dhurime të tilla. Dhurimet e kësaj kategorie mund të jepen, nëse del një rast i paparashikueshëm. Kjo, pasi sanksionet e tyre qëndrojnë Kuran dhe Sunet.

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi se gjithmonë kur i kërkonin Profetit (a.s.) ndonjë gjë për hatër të Islamit, ai e jepte.

Një burrë shkoi te Profeti (a.s.) dhe i kërkoi sadaka. Ai urdhëroi t’i jepnin një kope të tërë me bagëti, të përhapur midis dy kodrave. Ato bagëti ishin pjesë e sadakasë. Burri u kthye te njerëzit e tij dhe u tha: “O populli im! Pranoni Islamin, se me të vërtetë Muhamedi jep aq shumë sa të mos e kishte frikë varfërinë”.[146]

Sheukani thotë që El Itrah, El Xhebai, El Balkhi dhe Ibën Mubashiri mbrojnë idenë se sadakaja mund t’u jepet atyre njerëzve, që duam t’i afrojmë me Islamin.[147] Imam Shafiu ka një pikëpamje të kundërt me atë të mësipërmen dhe ai mbron idenë që dhurime të tilla nuk jepen për jobesimtarët, megjithëse ai i lejon këto lloj dhurimesh për muslimanët mëkatarë apo me besim të dobët.

Ebu Hanife dhe ndjekësit e tij janë të mendimit se ky lloj dhurimi është hequr me përhapjen dhe dominimin e Islamit dhe si provë, ata citojnë refuzimin e Ebu Bekrit për të vendosur për dhurimin e Ebu Sufjanit, Ujejnës, El Akras dhe El Abas ibën Mirdasit. Pajtimi (bashkimi i zemrave) lejohet kur nevoja për të rritet. Me fjalë të tjera lejohet t’u japësh atyre sadaka për pajtim, kur një popull i bindet prijësit musliman vetëm për çështjet e dynjasë dhe ata nuk duan ta pranojnë Islamin me asnjë lloj mënyre, përveçse me forcë. Kjo gjë bëhet për t’i afruar ata, ndonëse në këtë rast kjo nuk ndikon në përhapjen e Islamit.

Autori i “El Menar” thotë: “ Kjo është krejt e vërteta. Vetëm gjykimi i pavarur mund të përdoret për të përpunuar mbi përshtatshmërinë dhe sasinë e sadakasë ose të plaçkës së luftës për t’u dhënë kur janë të disponueshme, bashkë me llojet e tjera të pasurisë (të luajtshme dhe të paluajtshme). Është e nevojshme të kërkojmë këshillim nga njerëzit kompetentë (Ehli Shura), siç bënin kalifët në ato çështje që kërkonin ixhtihad. Nëse duhet që një udhëheqës t’i detyrojë ata (me forcë), për t’i bindur me veprime shtrënguese përpara se të përdorë dhurimin, është një çështje e pavendosur. Megjithatë, kjo mund të ndiqet si rregull, por më shumë si një parim që anon nga e keqja më e pakët e dy të këqijave dhe nga përfitimi më i mirë i shoqërisë”.

 

5- Për lirimin e robërve

Ky grup përfshin dy lloje robërish: robët e përkohshëm dhe ata që janë gjithmonë të tillë. Të dyja kategoritë ndihmohen me sadaka për të përfituar lirinë e tyre.

El Berra transmeton: “Një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha atij: Më thuaj të bëj një punë që me të të hyj në xhenet dhe të largohem nga zjarri. Atëherë Profeti (a.s.) i tha: “Liro një njeri dhe shpëto një rob”. Pastaj El Berra e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A nuk janë të dy njëlloj? Ai u përgjigj: “Jo! Të lirosh një person do të thotë t’i garantosh atij lirinë (duke e shpëtuar atë nga skllavëria), por të shpëtosh një rob do të thotë të blesh lirinë e tij”.[148] Transmeton Ahmedi dhe Darakutni nga njerëz të besueshëm.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Tre njerëz gëzojnë të drejtën e ndihmës së Allahut; luftëtari që lufton në rrugë të Allahut, robi i përkohshëm që vonon ta fitojë lirinë e tij dhe ai që dëshiron të martohet për shkak të pastërtisë morale”.[149] Transmetohet nga Ahmedi dhe autorët e “Es Sunan”. Tirmidhiu thotë se ky hadith është i vërtetë.

Për sa i përket kuptimit të fjalës “…edhe për lirimin e robërve…” (Et-Teube, 60). Sheukani thotë se dijetarët kanë mendime të ndryshme për të. Ali ibën Ebu Talib, Seid ibën Xhubejr, El Lejth, Eth Thauri, hanefitë, shafitë dhe shumica e dijetarëve bëjnë të ditur se besojnë që ajo i referohet robërve të përkohshëm, liria e të cilëve sigurohet nëpërmjet pagesës nga zekati.

Sipas Ibën Abasit, Hasan El Basrit, Malikut, Ahmed ibën Hanbelit, Ebu Thaurit dhe Ebu Ubejd, kjo do të thotë të përdorësh zekatin për lirimin e çdo lloj robi. Buhariu dhe El Mundhiri e mbështesin këtë mendim. Arsyeja e këtij mendimi është se, shprehja “…edhe për lirimin e robërve…” nuk mund të kufizohet me llojin e skllavërisë që vjen nga një kontratë, pasi po të ishte kështu, atëherë do të bënte pjesë në grupin e atyre që kanë borxhe, pasi rasti i tyre është i qartë. Si i tillë, lirimi i një robi është më mirë se të shpëtosh një skllav të përkohshëm. Ky i fundit mund të ndihmohet, por jo të lirohet, pasi skllavi i përkohshëm është skllav, derisa të ketë borxh edhe një derhem të vetëm. Në të njëjtën kohë, lirimi i një robi është i mundur në çdo kohë, ndryshe nga situata e robit të përkohshëm.

Duke e komentuar këtë temë, Zuhri thotë se pozita e përmendur përmban dy mundësi. Ajetet kuranore i aludojnë këto mundësi për këtë temë, të cilat janë nxjerrë në pah në librin “Muntaka El Ehbar”.

Në këtë hadith të transmetuar nga El Berra, provat tregojnë se shpëtimi i robërve nuk është i njëjtë me lirimin e tyre. Po ashtu, nuk është i njëjtë lirimi i një skllavi me ndihmën që i jepet një skllavi të përkohshëm, duke i dhënë para të shlyejë kontratën. Të dyja këto e afrojnë njeriun me xhenetin dhe e largojnë nga zjarri.

 

6- Ata që kanë borxhe: Debitorët

Me këta nënkuptojmë ata që kanë marrë borxhe dhe e kanë të vështirë t’i shlyejnë ato. Në këtë rast, atyre u jepet nga zekati për shlyerjen e borxheve.

Debitorët janë disa llojesh: ata që kanë marrë përsipër të shlyejnë borxhin, ata që

kanë hyrë garanci për borxhin e të tjerëve, ata që kanë marrë borxh, pasi kanë qenë të detyruar dhe ata që kanë qenë përfshirë në veprime mëkatare dhe pasi janë penduar duhet të paguajnë gjobë për pendimin. Të gjithë këta mund të marrin sadaka për të paguar borxhet e tyre. Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Të kërkuarit e sadakasë lejohet vetëm për këto tre grupe njerëzish; ai që është shumë i varfër, ai që ka shumë borxhe dhe ai, të cilit i kërkohet dëmshpërblim për gjakun”.[150] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e konsideron këtë hadith të besueshëm.

Muslimi transmeton nga Ebu Seid El Hudri, se një burrë bëri një marrëveshje të pasuksesshme për frutat dhe hyri në borxhe të rënda. Profeti (a.s.) këshilloi: “Jepini sadaka!”. Njerëzit i dhanë atij sadaka, por përsëri shuma nuk ishte e mjaftueshme që ai t’i shlyente të gjitha borxhet. Atëherë Profeti (a.s.) u tha njerëzve, që burri u detyrohej: “Merrni ato që iu dha dhe nuk keni gjë tjetër! [151][152]

Për sa i përket hadithit të mëparshëm të Kabisa ibën Muharik, në të cilin ai thotë: “Unë kisha borxhe, shkova te Profeti (a.s.) dhe i kërkova ndihmë. Ai u përgjigj: “Prit sa të marrim fondet e sadakasë dhe pastaj do të japim një pjesë”.[153]

Në kohët para Islamit, gjithmonë kur kishte mosmarrëveshje midis fiseve arabe dhe derdhej gjak, kërkohej kompensim. Në një rast të tillë njëri prej tyre, në mënyrë vullnetare do të plotësonte detyrimin, derisa mosmarrëveshja të merrte fund. Pa dyshim, ky është një gjest fisnik për këta njerëz. Kur arabët merrnin vesh se njëri prej tyre kishte marrë mbi vete përgjegjësinë e borxheve të dikujt, do të shpejtonin në ndihmë të tij për të shlyer përgjegjësinë e tij. Nëse një njeri i tillë kërkonte ndihmë, konsiderohej si një veprim i nderuar dhe jo përçmues për karakterin e tij. Për këtë nuk ishin përcaktuar kushte. Që të llogaritet si i mundshëm për të përfituar zekat që të shlyejë borxhe të tilla, nuk është e kushtëzuar që personi që ka marrë përsipër borxhet e tjetrit, të mos jetë i aftë t’i paguajë ato. Në fakt, ai ka të drejtë të kërkojë zekat për shlyerjen e borxheve të tilla.

 

7- Në rrugë të Allahut:

Më këtë kuptojmë atë punë që i pëlqen Allahut dhe të çon në xhenetet e Tij dhe ajo që është më e veçanta është xhihadi për të ngritur fjalën e Allahut të Lartësuar. Pra, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, zekat i jepet edhe luftëtarit në rrugë të Allahut, qoftë edhe nëse ai është i pasur.

Më sipër është përmendur hadithi i Profetit (a.s.), ku thotë: “Sadakaja nuk u

lejohet të pasurve, përveç pesë grupeve; luftëtarit në rrugë të Allahut…”.[154]

Përsa i përket haxhit, nuk hyn në zekatin e caktuar për në rrugë të Allahut, pasi haxhi është detyrim për atë person që ka mundësi.

Duke e komentuar këtë çështje, në “El Menar” thuhet: “Lejohet shpenzimi nga kjo pjesë për sigurimin e rrugës së haxhit dhe për t’iu siguruar ushqim dhe shërbime shëndetësore haxhilerëve, nëse fondet nga burime të tjera nuk janë të mjaftueshme”.

Këtu hyjnë të gjitha interesat e përgjithshme të muslimanëve, nga të cilat përfiton feja dhe shteti. Interesi i parë është xhihadi e ai ka nevojë që në fillim për përgatitjen e armëve, furnizimeve ushqimore, luftëtarëve, pajisjeve luftarake dhe gjithë kërkesat e tjera të luftës në rrugë të Allahut (xh.sh.). Rezervat për ushtarët duhet të kthehen në arkën e shtetit pas luftës. Kjo ka të bëjë më shumë për artikujt e pakonsumueshëm si kuajt, armët etj. Luftëtari në rrugë të Allahut nuk i zotëron gjithnjë këto lloj pajisjesh, pasi i përdor ato në rrugë të Allahut vetëm kur është e nevojshme.

Ky nuk është rast i njëjtë me përfituesit e tjerë të zekatit, si mbledhësit e zekatit, debitorët, njerëzit që marrin para nën llogarinë e shpenzimeve, pajtimi i zemrave dhe udhëtarëve. Ata nuk janë të detyruar ta kthejnë zekatin, edhe nëse nuk përfshihen më në të.

Gjithashtu, të përfshira në llogarinë e shpenzimeve në rrugë të Allahut janë edhe projektet e tilla si: ngritja e një spitali ushtarak, hapja e rrugëve, ndërtimi i ambulancave, avionëve luftarakë, fortesave, hendeqeve etj. Një gjë tepër e rëndësishme në këtë kategori do të ishte përgatitja e misionarëve muslimanë dhe dërgimi i tyre në vende joislame për të përhapur Islamin, ashtu si misionarët jomuslimanë po përhapin tani fenë e tyre në vendet islame. Gjithashtu, këtu do të bënin pjesë edhe shpenzimet e shkollës për të përgatitur kurse në shkencat fetare dhe fushat e tjera të interesit publik. Mësuesve të përfshirë në programe të tilla, duhet t’u jepet sadaka, për aq kohë sa ata bëjnë punën e tyre, pa përdorur mënyra të tjera të ardhurash. Dijetarët që janë të pasur nuk duhet të paguhen për punën e tyre, pavarësisht se ata janë tepër të dobishëm për njerëzit.

 

8- Udhëtari:

Me udhëtar kuptojmë një person që është shumë larg vendit të tij, ka mbetur në mes të rugës dhe nuk ka asnjë grosh në xhep. Atij i jepet nga zekati, për të plotësuar nevojat e tij gjatë rrugës, edhe nëse është i pasur në vendin e vet, duke pasur parasysh se ai është në gjendje të vështirë larg shtëpisë së tij. Në këtë rast, dhënia e zekatit është e lidhur me kushtin që udhëtimi të jetë ndërmarrë për arsye të pranueshme nga ana e Islamit. Se çfarë përfshin ky udhëtim, kjo është një çështje e hapur. Mendimi i pëlqyer midis shafive është se sadakaja jepet për udhëtarin, edhe kur ky i fundit udhëton për kënaqësi dhe turizëm. Udhëtari sipas tyre është dy llojesh:

1- Një person që udhëton brenda vendit të tij

2- Një person që udhëton e ka lon në një vend të huaj

Të dy këta gëzojnë të drejtën e zekatit, edhe pse ata mund të gjejnë dikë që t’ua japë borxh sasinë e nevojitur dhe kanë burime të mjaftueshme në vendin e tyre për të paguar borxhet. Sipas Malikut dhe Ahmedit, vetëm kalimtari ka të drejtën e zekatit dhe jo ai që udhëton vetëm brenda vendit të tij. Ata kanë mendimin se zekati nuk i jepet atij që ka mundësi të gjejë dikë që t’ia marrë borxh dhe ka mundësi t’i përballojë këto borxhe kur të kthehet në vendin e tij.

 

Kush paraqet përparësi prej tetë kategorive që përfitojnë zekatin ?

Shpërndarja e zekatit duhet t’u bëhet atyre që e meritojnë e siç dihet janë: të varfërit, nevojtarët, mbledhësit e zekatit, personat që duam t’i afrojmë në fe dhe duam të fitojmë zemrat e tyre, robërit, ata që kanë borxhe, udhëtarët dhe luftëtarët në rrugë të Allahut.

Juristët kanë mendime të ndryshme për ndarjen e zekatit midis tetë grupeve të mësipërme.

Shafiu dhe ndjekësit e tij janë të mendimit se kur shpërndarësi i zekatit është pronar i pronës, atëherë ai nuk ka pjesë që i takon si mbledhës zekati. Në këtë rast bëhet e detyrueshme ndarja e shumës së mbledhur në mes shtatë grupeve të mbetur. Nëse grupet e tjera për arsye të ndryshme nuk e gëzojnë të drejtën për të marrë zekat, atëherë do të shpërndahet ndërmjet atyre që vazhdojnë ta gëzojnë këtë të drejtë. Nuk lejohet të lihet mënjanë ndonjë kategori që i plotëson kushtet për të pasur të drejtën e zekatit.

Ibrahim Nehai thotë: “Nëse sasia e zekatit të marrë është e madhe, atëherë është e mundur ta ndash ndërmjet kategorive të ndryshme e nëse ajo është e vogël, lejohet t’ia japësh vetëm një kategorie”.

Ahmed ibën Hanbeli ka mendimin se ndarja e zekatit ka prioritet, por është e lejueshme t’ia japësh të gjithë atë sasi një kategorie të vetme.

Maliku ka mendimin se, shpërndarësi i zekatit duhet të përpiqet të zbulojë se cilët janë ata që janë më në nevojë. Ai duhet ta ndajë atë sipas kushteve imediate të të varfërve dhe nevojtarëve. Nëse ai e sheh se në vite të caktuara të varfërit kanë më shumë nevojë, atëherë atyre duhet t’u jepet prioritet. Nëse ai e shikon se në një vit tjetër udhëtarët kanë më shumë nevojë, atëhërë ai duhet ta ndajë zekatin ndërmjet tyre.

Hanefitë dhe Sufjan El Theuri mendojnë se paguesi i zekatit mund të zgjedhë

kategorinë, të cilës dëshiron t’i japë zekat. Kjo transmetohet nga Hudhejfe, Ibën Abasi, Hasan El Basri dhe Ata’ ibën Ebu Rabah.

Ebu Hanife mbron idenë se shpërndarësi i zekatit mund t’ia japë atë dhe një personi të vetëm, që i përket njërës prej tetë kategorive.

 

Pse dijetarët kanë mendime të ndryshme?

Sipas Ibën Rushdit, arsyeja e mendimeve të ndryshme të dijetarëve qëndron ndërmjet kuptimit gjuhësor dhe atij të nënkuptuar. Kuptimi gjuhësor përcakton ndarjen në të gjitha kategoritë, ndërsa kuptimi për të cilin është pasur qëllim tregon se si i duhet dhënë prioritet nevojtarit sipas emergjencës së nevojave të tij, përderisa qëllimi (i shpërndarjes së zekatit) është eleminimi i varfërisë. Numërimi i këtyre kategorive në Kuranin e Shenjtë është bërë për të dalluar ndryshimet e llojeve të njerëzve që e gëzojnë të drejtën e zekatit dhe jo detyrimisht pjesëmarrjen në zekat.

Interpretimi i parë është ai gjuhësor, ndërsa i dyti është interpretimi i pasur për qëllim (i nënkuptuar).

Shafiu e mbështet mendimin e tij në hadithin e Sudait, i cili transmeton nga Ebu Daudi se një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i kërkoi zekat. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Zoti nuk e ka lënë çështjen e sadakasë të vendoset nga Profeti apo nga ndonjë tjetër. Ai vetë i ka klasifikuar në tetë grupe. Nëse bën pjesë në njërin prej tyre, do të jap pjesën tënde”.[155]

 

Parapëlqimi i mendimit të shumicës së dijetarëve nga ai i Shafiut

Autori i “Raudah En Nadijah” thotë se shpërndarja e gjithë zekatit për një grup është më frutdhënëse në plotësimin e fjalës së Allahut. Shkurtimisht, themi se Allahu e bëri zekatin të aplikueshëm në mënyrë të veçantë për tetë kategoritë e përmendura. Cilësimi i këtyre kategorive në veçanti nuk do të thotë që zekati do të ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë apo se duhet të ndahet vetëm ndërmjet tyre. Kuptimi që është pasur për qëllim është se kategoritë e sadakasë janë të ngjashme me grupe të ndryshme njerëzish, që gëzojnë të drejtën për të. Kështu, nëse dikush e ka për detyrë t’i paguajë diçka njërës prej këtyre kategorive dhe ia jep grupit paralel, pranohet se e ka plotësuar urdhërin e Allahut. Në të kundërtën, nëse dikush do ta ndante zekatin e tij të detyruar në mes tetë grupeve të njohura, në rast se do të ekzistonin të tetë, atëherë kjo jo vetëm që do të ishte në kundërshtim me praktikën e muslimanëve gjatë gjithë historisë, por do t’i shkaktonte vështirësi edhe vetë paguesit të zekatit. Për shembull, nëse zekati është i pakët, nuk do t’i shërbente asnjë kategorie për të cilën ishte caktuar, po të ishte e një lloji, pa folur nëse ajo do të ishte disa llojesh. Për të mbështetur një praktikë të tillë do të ishte e njëjtë me kundërshtimin e asaj që bëri Profeti (a.s.), kur lejoi pagimin e shlyerjes nga bamirësia e mbledhur për Seleme ibën Sahr. Sigurisht, hadithi i Sudait nuk mund të përdoret si argument.

Nuk ekziston asnjë rast i vetëm në literaturën e hadithit që të përdoret për të bërë të detyrueshëm shpërndarjen e zekatit tek të gjitha grupet që e përfitojnë atë.

Po ashtu, nuk merret si argument edhe hadithi i Muadhit, kur Profeti (a.s.) e urdhëroi atë të merrte zekat nga të pasurit e Jemenit dhe t’ua jepte të varfërve të tyre, pasi hadithi në fjalë nuk përcakton se zekati iu nda të gjitha grupeve.

As hadithi i Zijad ibën El Harithe Es Sudait nuk është i vlefshëm në këtë rast, pasi në zinxhirin e këtij transmetimi është Abdurrahman ibën Zijad El Afriki, besueshmëria e të cilit ka qenë e diskutueshme nga shumë dijetarë. Nëse e marrim këtë hadith si të vlefshëm për pikën që po diskutojmë, kuptimi i ndarjes së zekatit në pjesë është shpërndarja e tij sipas kuptimit sipërfaqësor të ajetit të Kuranit dhe asaj çfarë Profeti (a.s.) kishte për qëllim. Nëse supozojmë se ndarja e zekatit është e nënkuptuar, ndarja duhet të bëhet sipas kategorive të veçanta. Në këtë rast, çdo transferim i pjesës së një grupi te një tjetër, madje edhe nëse grupi për të cilin bëhet fjalë, për një arsye apo për një tjetër nuk do të ekzistonte, nuk do të ishte i lejueshëm. Një praktikë e tillë do të ishte në kundërshtim me konsensusin e dijetarëve muslimanë. Nëse e pranojmë këtë, atëherë faktori vendimtar për ndarjen e sadakasë do të ishte dëshira e udhëheqësit dhe jo kategoritë e njerëzve që e gëzojnë këtë të drejtë.

Kështu, nuk ka fakte që ta bëjnë të detyrueshme ndarjen dhe si rrjedhim është e lejuar t’ua japësh një pjesë të sadakasë atyre personave që e gëzojnë këtë të drejtë dhe një pjesë grupeve të tjera. Në të vërtetë, kur udhëheqesi i mbledh të gjitha sadakatë e popullit të tij dhe të tetë kategorive janë të predispozuar për ta marrë, secili grup ka të drejtë të kërkojë pjesën e tij.

Megjithatë, udhëheqësi nuk është i detyruar t’i ndajë sadakatë në mënyra të barabarta ndërmjet tyre apo ta ndajë pa ndonjë dallim, pasi ai mund t’i japë çfarëdolloj sasie cilitdo prej grupeve që ai dëshiron ose mund t’i japë një pjesë pa e dhënë pjesën tjetër, nëse mendon se është në të mirë të Islamit ose në interes të popullit të tij. Për shembull, nëse sadakaja u mblodh dhe pastaj bëhet thirrja për xhihad, që do të thotë se është e nevojshme të mbrohen territoret islame nga jobesimtarët, udhëheqësi mund t’ua japë një pjesë të sadakasë ose të gjithën luftëtarëve që e meritojnë atë.

Gjithashtu, kjo përdoret edhe për çështje të tjera, nëse e kërkon interesi i përgjithshëm.

 

Njerëzit për të cilët është i ndaluar zekati

 

Deri tani ne kemi diskutuar shpërndarjen e zekatit dhe kategoritë e njerëzve që e gëzojnë të drejtën për ta marrë atë. Tani do të flasim për ata njerëz, të cilëve u ndalohet ta marrin zekatin. Ata janë:

 

1- Jobesimtarët dhe ateistët

Juristët bien dakord se jobesimtarët dhe ateistët nuk përfitojnë zekat. Në hadithin ku thuhet: “Zekati merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”, fjala “të pasur” i referohet muslimanëve të pasur dhe fjala “të varfër”, u referohet muslimanëve të varfër.

Ibën El Mundhiri ka thënë se, të gjithë dijetarët bien dakord se një jomuslimani të lirë nuk i jepet zekat. Përjashtim bëjnë ata njerëz, zemrat e të cilëve janë të prirura drejt Islamit.

Megjithatë, lejohet t’i japësh një jomuslimani të lirë nga bamirësia vullnetare (e padetyrueshme). Duke aluduar mbi karakteristikat e besimtarëve Kurani thotë:

وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا

“Ata janë që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe atyre që janë zënë robër”. (El-Insan, 8)

Kjo mbështetet gjithashtu nga hadithi vijues: “Mbaji lidhjet me nënën tënde”.[156] Gruaja, në këtë rast ishte një idhujtare.

 

 

2- Benu Hashim (pasardhësit e Profetit a.s.)

Kjo përfshin familjet e Aliut, Ukejlit, Xhaferit, Abasit dhe Harithit.

Ibën Kudame thotë se nuk ka ditur ndonjë mospajtim midis dijetarëve  përsa i përket ndalimit të Benu Hashimit për të marrë zekat.

Profeti (a.s.) ka deklaruar: “Me të vërtetë sadakaja nuk duhet t’i jepet familjes së Muhamedit. Ato janë psuri të përlyera të njerëzve”.[157] Transmeton Muslimi.

Ebu Hurejra tregon se, kur Hasani mori një hurmë nga hurmat e sadakasë, Profeti (a.s.) iu drejtua dhe i tha: “Pështyje (nxirre) atë! A nuk e di ti se ne nuk duhet të hamë nga sadakatë?!”[158] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Përsa i përket të drejtës së Benu El Mutalib për zekat, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Shafiu ka mendimin se, si Benu Hashim edhe Benu El Mutalib u ndalohet të marrin zekat. Për ta mbështetur këtë ide, Shafiu, Ahmedi dhe Buhariu transmetojnë nga Xhubejr ibën Mut’im, i cili ka thënë: “Në betejën e Hajberit, Profeti (a.s.) e anuloi pjesën e të afërmve të familjes së Benu Hashimit dhe Benu El Mutalibit dhe la pjesën e Benu Naufel dhe Benu Abdushems. Unë dhe Othman ibën Afani shkuam te Profeti (a.s.) dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Mos ia moho Benu Hashimit mirësinë e pozitës së tyre, pasi Allahu të vendosi ty ndërmjet tyre. Po përsa i përket vëllezërve tanë Benu El Mutalib, ti u dhe atyre dhe na le ne. A nuk është lidhja jonë e njëjtë?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Unë dhe Benu El Mutalib nuk jemi ndarë as gjatë injorancës dhe as në Islam. Ne dhe ata jemi një”. Pastaj ai ka ndërthurur gishtat e tij për të treguar lidhjen e ngushtë midis tyre.[159]

Ibën Hazmi thotë: “Arsyeja të çon se, nuk duhen bërë dallime ndërmjet tyre në asnjë çështje ligjore, sepse sipas thënies së Profetit (a.s.) ata janë një. Është e qartë se ata janë familja e Muhamedit dhe për këtë sadakatë janë të ndaluara për ta. Ebu Hanife është i mendimit se familja e Benu El Mutalibit mund të marrë zekat. Të dyja transmetimet e mësipërme janë transmetuar nga Ahmedi dhe shprehin pikëpamjen e tij.

Muhamedi (a.s.) ashtu siç e bëri të paligjshme lëmoshën për familjen e Benu Hashimit, po ashtu ai e bëri të paligjshme për ata që gëzojnë mbrojtjen e tyre.

Ebu Rafi, një ndër personat që kanë qenë nën mbrojtjen e Profetit (a.s.), ka thënë se i Dërguari i Allahut caktoi një burrë nga familja e Benu Mahzumit për të mbledhur sadakatë. Ky burrë i tha Ebu Rafit: “Më shoqëro që të marrësh një pjesë prej saj”. Ai nuk pranoi, derisa ta takonte të Dërguarin e Allahut dhe ta pyeste vetë. Shkoi te Profeti (a.s.) dhe e pyeti në lidhje me këtë çështje. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Sadakaja nuk është e ligjshme për ne dhe personat që ishin skllevërit e një fisi të caktuar kanë qenë të njëjtë me ta (trajtohen si anëtarë të atij fisi).[160] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson hadithin si të vërtetë.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme, nëse është apo jo e ligjshme sadakaja vullnetare për familjen e Profetit (a.s.).

Sheukani, pasi i ka përmbledhur mendimet për këtë temë, thotë se kuptimi sipërfaqësor i hadithit të Profetit: “Sadakaja është e paligjshme për ne” është se, si sadakaja e detyrueshme, ashtu dhe ajo vullnetare janë të paligjshme për ta. Një grup dijetarësh, përfshi këtu edhe El Hatabin, mendojnë se ky ndalim për Profetin (a.s.) bazohet në konsensus. Duke u bazuar në transmetimin e Shafiut, shumë të tjerë kanë vendosur se, ndalimi i zekatit për Profetin nuk e përfshin sadakanë vullnetare. Një transmetim nga Ahmedi thotë të njëjtën gjë, por Ibën Kudame nuk i pranon të gjitha këto trasmetime, për shkak të mungesës së provave të qarta.

Përsa i përket familjes së Profetit (a.s.), shumica e hanefive, shafive, hanbelive dhe pjesa më e madhe e zejdive kanë mendimin se sadakaja vullnetare është e lejuar për familjen e Profetit, por ajo e detyrueshme nuk është e tillë, përderisa për ta kjo e fundit është veç një mall i përlyer që del nga pasuria e njerëzve. Kjo do të thotë se, zekati është i ndaluar për ta dhe jo sadakaja vullnetare. Në “El Bahr” thuhet se sadakaja vullnetare është e kufizuar në donacion ose dhurim. Ebu Jusufi dhe Ebu El Abasi janë të mendimit se ajo është e paligjshme për ta, pasi është sadaka e caktuar dhe nuk ka argumente për të kundërtën.[161]

 

  1. Baballarët dhe bijtë:

Juristët bien dakord se nuk është e lejueshme për dikë t’ia japë zekatin babait, gjyshit, nënës, gjyshes, djalit, nipit, vajzës dhe fëmijëve të saj, pasi paguesi i zekatit gjithsesi është i detyruar të kujdeset për këta njerëz.

Në rast të varfërisë së tyre, ata duhet të varen nga bujaria e tij pasi është e drejta e tyre. Kështu, nëse ai u paguan zekat atyre, ai përfiton për veten e tij dhe shmang detyrimin e mbështetjes për ta. Maliku i përjashton gjyshin, gjyshen, nipërit dhe mbesat, pasi nuk është obligimi i një personi t’i mbështesë (mbajë) ata, nëse janë të varfër.[162] Megjithatë, nëse ata janë të pasur dhe luftojnë në rrugë të Allahut, paguesi i zekatit mund t’u japë një pjesë të këtij zekati të caktuar për ata që luftojnë ne rrugë të Allahut. Ai mund t’u japë gjithashtu një pjesë nga ajo e caktuar për debitorët, megjithëse ai nuk është i detyruar të shlyejë borxhet e tyre. Po ashtu, mund t’u japë një pjesë nga sasia e lënë mënjanë për mbledhësit e zekatit, duke marrë parasysh se ata janë pjesë e kësaj kategorie.

 

  1. Bashkëshortja:

Ibën El Mundhiri thotë se të gjithë dijetarët janë të mendimit se burri nuk është i detyruar t’i japë gruas së tij zekat, pasi ai tashmë është i detyruar të jetë mbështetës për të, vetëm në rast se ajo është në borxhe. Në atë rast, asaj mund t’i jepet nga pjesa e debitorëve për të shlyer borxhin e saj.

 

  1. Shpërndarja e zekatit për të fituar kënaqësinë e Allahut:

Nuk lejohet të shpërndash zekat, duke pasur për qëllim afrimin me Allahun, ndryshe nga ajo çka Ai ka përmendur në ajetin kuranor:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَاِبْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنْ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“Allahu caktoi obligim që zekati t’u takojë vetëm të varfërve, nevojtarëve. (Et-Teube, 60).

Kështu, zekati nuk mund të paguhet për ndërtimin e xhamive, urave, riparimin e rrugëve, mbështjelljen me qefin të të vdekurve e të tjera si këto. Ebu Daudi përmend se ka dëgjuar Ahmedin kur dikush po e pyeste nëse lejohej shpenzimi i një pjese të zekatit për mbështjelljen e të vdekurit. Ai ka thënë: “Jo! As nuk mund të përdoret për të shlyer borxhet e të vdekurit”[163]. Pastaj ai ka thënë se njeriu mund të paguajë borxhet e një personi të gjallë nga zekati, por nuk mund ta bëjë këtë për borxhet e një të vdekuri, pasi për personin që vdes nuk ka borxhe. Gjithashtu, Ahmedi është pyetur, nëse është e lejueshme t’u jepet ndihmë familjarëve për të larë borxhet dhe ai është përgjigjur se një gjë e tillë është e mundur.

 

Kush e shpërndan zekatin ?

Profeti (a.s.) dërgonte njerëz të autorizuar për të mbledhur zekatin. Pastaj ai e shpërndante atë për njerëzit që e meritonin. Po ashtu, Ebu Bekri (r.a.) dhe Umeri (r.a.) kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Nuk ka ndryshim midis pasurisë objektive (bimët, frutat, gjedhi dhe mineralet) dhe asaj subjektive (mallrat e tregtisë, ari, argjendi dhe thesari).

Kur Othmani (r.a.) u bë kalif, ai e ndoqi këtë praktikë për një kohë të shkurtër. Më vonë, kur ai pa se pasuria subjektive u shumua dhe kërkimi i saj vinte në vështirësi bashkësinë e njerëzve gjatë kontrollit të saj, ai e la pagesën e një zekati të tillë në ndërgjegjen e njerëzve.[164]

Juristët pajtohen me idenë se, vetë pronarët duhet të marrin përsipër shpërndarjen e zekatit, veçanërisht kur kemi të bëjmë me pasuri të tilla.

Saib ibën Jezidi tregon: “Një herë e kam dëgjuar Othman ibën Afanin duke mbajtur hytbe në minberin e të Dërguarit të Allahut dhe thoshte: “Ky është muaji i zekatit tuaj. Nëse ndonjë ka ndonjë borxh, le ta paguajë në mënyrë që pasuria e tij të shpëtojë nga borxhet. Pastaj mund të paguani zekat për to (pronat tuaja)”.[165] Këtë hadith e transmeton Bejhakiu me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Neveviu thotë se dijetarët bien dakord me këtë praktikë. Lind pyetja: A është më e pëlqyeshme për pronarët ta shpërndajnë zekatin për pasurinë e tyre subjektive apo është më mirë që këtë ta bëjë udhëheqësi?

Për këtë temë ka më shumë se nje mendim. Zgjidhja e pëlqyer midis shafive është se zekati duhet t’i paguhet udhëheqësit, veçanërisht kur është një qeveri e drejtë. Sipas hanbelive, është e pëlqyeshme që paguesi i zekatit ta shpërndajë atë vetë, megjithëse është e lejuar që t’ia japë edhe udhëheqësit. Nga ana tjetër, Maliku dhe hanefitë janë të mendimit se, nëse pasuria nuk është subjektive, udhëheqësi musliman dhe njerëzit e tij kanë të drejtë ta kërkojnë dhe ta marrin zekatin e saj. Mendimi i shafive dhe hanbelive rreth pasurisë subjektive dhe asaj objektive është i njëjtë.

 

Dhënia e pagesës së zekatit udhëheqësit, qoftë ai i drejtë ose jo

Duke marrë parasysh se udhëheqësi drejton sipas ligjeve islame, lejohet t’ia japësh atij zekatin, qoftë udhëheqësi në fjalë i drejtë apo jo. Pronari i pasurisë heq nga vetja përgjegjësinë, duke ia paguar zekatin udhëheqësit. Nëse imami apo drejtuesi i shtetit nuk e shpërndan zekatin ashtu siç duhet, është e pëlqyeshme që pronari ta bëjë vetë këtë, vetëm nëse udhëheqësi ose vartësit e tij ia kërkojnë atij këtë.

Enesi transmeton: “Një burrë nga fisi Benu Tamim shkoi tek Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë ia paguaj zekatin përfaqësuesit tuaj, a e shlyej përgjegjësinë time te Allahu dhe i Dërguari i Tij?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po. Nëse ua paguan përfaqësuesve të mi, e ke shpëtuar veten tënde. Shpërblimet e saj janë tuat dhe gjynahet janë për atë që e keqpërdor atë”.[166] Këtë hadith e transmeton Ahmedi.

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pas meje do të ketë egoizëm dhe ju do t’i mohoni detyrimet”. Ata që e dëgjuan, i thanë: “Çfarë na këshillon të bëjmë o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “Paguani detyrimet tuaja dhe kërkoni prej Allahut atë që është e mirë për ju”.[167] Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Uail ibën Huxhër tregon: “Unë e kam dëgjuar Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë, kur një burrë e kishte kërkuar mendimin e tij për udhëheqësit që mohonin të drejtat e tyre (të mbledhjes dhe shpërndarjes së zekatit) dhe kërkonin të drejtat e veta: “Dëgjoni dhe binduni, pasi me të vërtetë që ata kanë përgjegjësitë e tyre dhe ju keni tuajat”.[168] Transmetohet nga Muslimi.

Duke komentuar rreth kësaj teme, Sheukani thotë se hadithet e përmendura në këtë kapitull përdoren nga shumë dijetarë në lejimin e dorëzimit të zekatit tek udhëheqësit e padrejtë. Këtu bëhet fjalë për udhëheqësin e muslimanëve në shtetin islam (Dar El Islam).

Përsa i përket qeverive muslimane bashkëkohore, Shejh Rashid Rida ka mendimin se sot për sot, shumica e muslimanëve nuk kanë një qeveri islame që të vendosë Sheriatin, ta propagandojë dhe ta mbrojë atë. Po ashtu, nuk ka shtet të bëjë thirrje për xhihad individual dhe kolektiv, të zbatojë urdhëresat hyjnore, të mbledhë dhe të shpërndajë zekatin sipas rregullave të vendosura nga Allahu i Lartësuar. Disa udhëheqës muslimanë janë nën ndikimin e fuqive perëndimore, ndërsa të tjerë janë nën tutelën e politeistëve. Këto fuqi të huaja i përdorin udhëheqësit muslimanë për të nënshtruar njerëzit në emër të Islamit, duke e shkatërruar vetë Islamin. Ata përdorin ndikimin e udhëheqësve muslimanë dhe burimet muslimane, duke përfshirë këtu zekatin dhe dhurimin për të çuar më tej interesat e tyre. Prandaj, nuk lejohet që liderëve të tillë t’u dorëzohet ndonjë pjesë e zekatit, pavarësisht nga profesioni dhe titulli që gëzojnë.

Përsa i përket pjesës tjetër të qeverive islame, udhëheqësit e të cilave janë muslimanë të mirë, e shfaqin atë dhe financat e tyre nuk kontrollohen nga të huajt, atyre duhet t’u jepet pagesa e zekatit të pasurive të ndryshme, kur ata e kërkojnë një gjë të tillë, edhe nëse ata janë të padrejtë në disa nga gjykimet e tyre, siç thuhet nga juristët.

 

Zekati preferohet t’u jepet njerëzve të mirë

Zekati i jepet një muslimani duke marrë parasysh se e gëzon të drejtën për ta marrë atë. Nuk ka rëndësi nëse ai është i mirë apo me gabime. Megjithatë, nëse dihet se ai do ta përdorë atë për të kryer veprime që janë të ndaluara nga Allahu, në këtë rast nuk është e lejuar që atij t’i jepet zekat. Transmetohet nga Ebu Seid El Hudri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çështja e besimtarit dhe e besimit është e ngjashme me atë të kalit që është i lidhur tek kunji i tij dhe pasi ecën e ecën vërdallë përsëri kthehet tek ai. Besimtari mund të harrojë, por ai kthehet tek besimi i tij. Për këtë, jepjani ushqimin tuaj të drejtëve dhe bëni mirësi me besimtarët”.[169] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të besueshëm dhe Sujuti e vlerëson atë si hasen.

Ibën Tejmije thotë se nevojtarit që lë namazin, nuk duhet t’i jepet asgjë, derisa të pendohet dhe të kthehet të falet përsëri, pasi lënia e namazit është një gabim tepër i rëndë. Nuk është e drejtë që dikush që bën një gabim të tillë të ndihmohet financiarisht, derisa të pendohet tek Allahu.

Në një kategori me personat që lënë namazin hyjnë dhe ata që ofendojnë të tjerët, nuk turpërohen nga veprimet e këqija dhe nuk pendohen. Gjithashtu, nuk lejohet t’u jepet zekati personave me ndërgjegje jo të pastër, që nuk dallojnë të mirën nga e keqja dhe kanë një karakter të shformuar. Këtyre u jepet, vetëm në rast se veprimi në fjalë do t’i ndihmonte ata për të përmirësuar veten e tyre dhe për t’u kthyer në rrugë të drejtë.

 

Paguesit të zekatit nuk i lejohet të blejë përsëri atë që ka dhënë për bamirësi

Profeti (a.s.) i ndaloi ata që japin zekatin ta blejnë sërish atë që kanë dhënë për hir të Allahut të Madhëruar. Kjo i ngjan rastit të atyre që ishin larguar nga Meka si emigrantë, të cilët Profeti (a.s.) i kishte ndaluar të ktheheshin atje përsëri.

Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri se, njëherë Umeri dha për hir të Allahut si sadaka një kalë. Më vonë ai donte ta blinte atë përsëri. Kështu, ai e pyeti të Dërguarin e Allahut, nëse mund ta bënte këtë. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Mos e ble përsëri atë që ke dhënë për bamirësi dhe mos u kthe në sadakanë tënde”.[170] Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Neveviu thotë se kjo ndalesë nuk është e shkallës së prerë, por është një ndalim i formës së urryer. Është e papëlqyeshme që një person të blejë përsëri atë që ka dhënë për bamirësi, si një pendesë për një premtim të bërë e çdo lloj gjëje e kësaj natyre që e afron dikë me Allahun. Kjo vlen dhe për një dhuratë, që dikush e ka marrë nga një person tjetër që nuk mund ta ketë në zotërim, madje dhe nëse ia lejon ai që e mori. Megjithatë, ai mund ta marrë atë, nëse e trashëgon më vonë. Sipas Ibën Batalit, shumë dijetarë nuk e pëlqenin që dikush të blinte atë që kishte dhënë më parë në bamirësi. Kjo gjë përputhet me hadithin e Umerit.

Ibën El Mundhiri thotë se Hasani, Ikrima, Rabia dhe Euzai e lejuan blerjen e sadakasë së dhënë. Po ashtu, Ibën Hazmi ka të njëjtin mendim bazuar në hadithin që transmeton Ebu Seid El Hudri, në të cilin i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja nuk u jepet të pasurve, përveç pesë grupeve: mbledhësit të saj; një burrë që e ka blerë atë me pasurinë e tij; ai që ka borxhe; një luftëtar në rrugë të Allahut dhe dikush që ka një komshi të varfër, të cilit i ka dhënë zekatin dhe pastaj ai ia ka kthyer të pasurit në formën e dhuratës”.[171]

 

Parapëlqimi për t’i dhënë zekat bashkëshortit ose të afërmve

Bashkëshorti i varfër përfshihet në zekatin e gruas së tij të pasur, megjithëse nuk është ajo që duhet ta mbajë atë. Shpërblimi i saj për këtë gjë është më i madh, sesa t’ia jepte ndonjë të huaji.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Zejnebja, gruaja e Ibën Mesudit, i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Me të vërtetë ti na urdhërove sot të japim sadaka dhe unë kam disa stoli që doja t’i jepja për sadaka, por Ibën Mesudi thotë që ai dhe fëmijët e tij e meritojnë më shumë atë sadaka se kushdo tjetër”. Profeti (a.s.) i tha: “Ibën Mesudi ka të drejtë. Burri dhe fëmijët e tu e meritojnë më shumë”.[172] Transmeton Buhariu.

Po ashtu, Shafiu, Ibën El Mundhiri, Ebu Jusufi, Muhamedi, dhahiritë dhe një transmetim i Ahmedit e mbështesin këtë mendim.

Ebu Hanife dhe dijetarë të tjerë kanë mendim tjetër, duke thënë se gruas nuk i lejohet t’i japë sadaka burrit të saj. Ata mbrojnë idenë se hadithi i Zejnebes bën fjalë për sadakanë vullnetare dhe jo për atë që është e detyruar.

Maliku mendon se nuk i lejohet burrit ta shpenzojë për vete sadakanë që merr nga gruaja e tij. Nuk përbën ndonjë problem, nëse e shpenzon për qëllime të tjera.

Megjithatë, mendimi i shumicës së dijetarëve është se: vëllezërit, motrat, dajallarët, tezet, xhaxhallarët dhe hallat, nëse e gëzojnë të drejtën për të përfituar zekat, mund ta marrin atë. Mendimi i tyre bazohet në hadithin që thotë: “Sadakaja për të varfërin shpërblehet si një sadaka, ndërsa në rastin e një të afërmi, konsiderohen si dy të tilla: (një shpërblim) për lidhjen e gjakut dhe (shpërblimi tjetër) për vetë sadakanë”.[173] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson hadithin si hasen.

 

Dhënia e zekatit për ata që kërkojnë dije fetare

Neveviu thotë se dikujt që i jepet mundësia për të fituar një jetesë të përshtatshme dhe dëshiron të merret me studimin e disa shkencave fetare, por puna e tij nuk do ta lejonte këtë, atëherë atij mund t’i jepet sadaka, pasi kërkimi i diturisë konsiderohet si detyrim i kufizuar (farz kifaje). Zekati nuk lejohet për atë që është i aftë ta fitojë vetë jetesën.

Neveviu thotë se ata që bëjnë vepra vullnetare në adhurim ose të tjerë që nuk kanë kohë të sigurojnë jetesën e tyre, pasi janë të zënë me punë vullnetare, atyre nuk u jepet zekat, sepse, ndryshe nga ai që kërkon dituri, në këtë rast nga dhurimi i zekatit është vetëm ai që përfiton dhe jo një pjesë e bashkësisë islame.

 

Larja e borxheve me anë të zekatit

Neveviu thotë në librin e tij “El Maxhmu” për këtë çështje: “Supozojmë se një person që i detyrohet dikujt një borxh dhe në të njëjtën kohë klasifikohet për pagesën e zekatin. Kur zekati është detyë, ai i thotë atij që i ka marrë borxhin: “Këtë po e jap në emër të zekatit”. Në këtë rast a do të ishte e pranueshme?

Neveviu thotë se ka dy mendime për këtë. Sipas Ahmedit dhe Ebu Hanifes që mbrojnë mendimin më të mirë, nuk quhet si zekat, pasi zekati nuk shlyhet, derisa të jetë paguar. Hasan El Basriu dhe Atau mendojnë se përgjegjësia e zekatit shlyhet, megjithëse zekati nuk paguhet nga personi në atë kohë të caktuar. Në të njëjtën mënyrë, nëse individi me mirëbesim ia dorëzon një shumë parash një personi tjetër në ruajtje dhe në kohën e zekatit ai ia lë shumën atij për të shlyer zekatin e tij (si zekat për të), kjo gjë është e vlefshme.

Megjithatë, juristët bien dakord se, nëse një person ia paguan zekatin një tjetri, i cili i detyrohet atij para dhe pastaj ia merr përsëri, si larje e borxhit që i kishte ai tjetri, nuk e shlyen detyrimin e zekatit.

Gjithashtu, nuk është e vlefshme që një person të pranojë zekat nga dikush, të cilit i detyrohet ndonjë borxh, me kushtin që do t’ia kthejë mbrapsht atij për t’i shlyer borxhin. Megjithatë, nëse në momentin e dhënies së borxhit të dy kanë rënë dakord për të vepruar kështu, megjithëse nuk përmendet në marrëveshje, kjo do të jetë e vlefshme për zekat.

 

Transferimi i zekatit

Juristët bien dakord se zekati mund të transferohet nga një vend në tjetrin, në rast se nevojat e banorëve të vendit nga i cili është transferuar ai zekat janë plotësuar. Një numër i madh hadithesh theksojnë nevojën e shpërndarjes së zekatit ndërmjet të varfërve dhe nevojtarëve të vendit nga është mbledhur. Kjo, pasi zekati synon të shpëtojë nga nevoja banorët e varfër të vendit, ku është mbledhur dhe transferimi i tij do të çonte në mohimin e kësaj të drejte.

Kjo gjë mbështetet nga hadithi i Muadhit: “Thuaju atyre se ka një sadaka të detyrueshme që u merret të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”.[174]

Ebu Xhuhejfe transmeton se mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) kishte shkuar tek ata dhe kishte marrë zekatin nga të pasurit e tyre dhe ua kishte dhënë të varfërve të tyre. Ebu Xhuhejfe citon se atëherë ishte jetim dhe kishte përfituar një deve të re femër.[175] Transmetohet nga Tirmidhiu, i cili e ka vlerësuar si hasen.

Imran ibën Husejn tregon se ai u punësua si mbledhës i sadakasë. Kur u kthye nga detyra, e pyetën se ku ishte sasia e mbedhur. Ai u përgjigj: “A nuk më dërguat për të mbledhur? Ne e morëm zekatin dhe e ndamë atë, ashtu siç bënim në kohën e Profetit (a.s.)”.[176] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Për të njëjtën temë, Tausi thotë se Muadhi kishte shkruar në letrën e tij se, kushdo që lëvizte nga një vend në tjetrin, sadakaja e tij dhe një e dhjeta mbeteshin në vendin e fisit të tij.[177] Këtë e transmeton El Ethrami në librin e tij të hadithit.

Duke u bazuar në hadithe të tilla, juristët thonë se të varfërit e një vendi kanë prioritet për ta marrë zekatin e atij vendi më tepër se të varfërit e ndonjë vendi tjetër. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme me kushtet që duhet të plotësohen, përpara se zekati të transferohet nga një vend në tjetrin.

Hanefitë mendojnë se transferimi i zekatit është i papëlqyeshëm. Kjo mund të bëhet vetëm në rast se është për të afërmit nevojtarë dhe i shërben lidhjes së gjakut ose kur nevojat e një grupi muslimanësh janë më të theksuara se ato të vendit ku është mbledhur. Për shembull, kur kjo është e lidhur ngushtë me interesin e përgjithshëm të muslimanëve, kur kërkohet nga një vend në luftë kundër muslimanëve në tokën e tyre, kur është caktuar për një dijetar ose kur zekati paguhet para përmbushjes së haulit. Në këto raste transferimi i zekatit nuk është i papëlqyeshëm.

Shafitë janë të mendimit se transferimi i zekatit nuk lejohet dhe ai duhet shpenzuar në vendet nga është mbledhur, vetëm në rast se nuk ka të varfër ose kategori të tjera që e përfitojnë zekatin në atë vend. Amër ibën Shuajbi transmeton se i Dërguari i Allahut caktoi Muadh ibën Xhebelin në një pozitë në Xhund, ku ky i fundit qëndroi deri në vdekjen e Profetit (a.s.). Pas vdekjes së Profetit (a.s.), ai shkoi tek Umeri (r.a.), i cili e ngarkoi përsëri me këtë detyrë. Muadhi i dërgoi Umerit (r.a.) një të tretën e sadakave të mbledhura nga njerëzit e atij vendi, por Umerit (r.a.) nuk i pëlqeu kjo gjë dhe i tha: “Unë nuk të caktova të shkoje atje si taksambledhës, as si marrës i xhizjes. Unë të caktova të mblidhje sadakatë nga të pasurit dhe t’ua jepje të varfërve të tyre”. Muadhi u përgjigj: “Nuk do të të kisha dërguar asgjë, po të kisha gjetur ndonjë që pranonte atë prej meje”. Vitin e dytë ai i dërgoi gjysmën e sadakave të mbledhura dhe ndodhi po i njëjti diskutim. Vitin e tretë ai e dërgoi të gjithë sadakanë e mbledhur dhe Umeri (r.a.) përsëri debatoi me të. Muadhi u përgjigj: “Nuk gjeta ndonjë që të kishte nevojë të merrte diçka prej meje”.[178] Kjo transmetohet nga Ebu Ubejd.

Maliku mendon se transferimi i zekatit lejohet të bëhet vetëm kur është tepër e nevojshme. Administrata, pasi t’i marrë parasysh të gjitha faktet, mund ta dërgojë atë në një vend tjetër. Hanbelitë thonë se nuk lejohet ta transferosh zekatin nga vendi ku është mbledhur në një vend tjetër larg tij. Ai duhet të shpenzohet në vendin që mblidhet ose afër tij, por jo jashtë kufirit, në të cilin aplikohet shkurtimi i namazit për shkak të largësisë së tij.

Ebu Daudi thotë se e ka dëgjuar Ahmedin duke thëne se nuk është e mundur të transferohet zekati nga një vend në vendin tjetër. Kur e pyetën për të afërmit (e atij që paguan zekat) nëse ndodheshin në një vend tjetër, ai tha: “Jo! Ai mund të transferohet, vetëm kur të jenë plotësuar nevojat e banorëve të vendit”. Ai e bazon mendimin e tij tek hadithi i mësipërm i Ebu Ubejdes.

Ibën Kudame mendon se, edhe nëse paguesi i zekatit i shkel kushtet e mësipërme, duke e transferuar zekatin e tij, ai e ka plotësuar detyrimin. Ky mendim mbrohet nga shumica e dijetarëve.

Kur dikush qëndron në një vend dhe ndodh që pasuria e tij është në një vend tjetër, duhet t’i jepet përparësi vendit ku është pasuria, pasi kjo pasuri ka dhënë zekatin dhe njerëzit që e meritojnë do të jenë duke pritur për të. Nëse një pjesë e pasurive janë në të njëjtin vend që ndodhet pronari dhe pjesa tjetër në një vend tjetër, zekati do të paguhet për secilën pjesë në vendin e vet.

Përsa i përket zekatit të Fitrit, ai ndahet në vendin ku është pronari, ndodhen apo nuk ndodhen aty pasuritë e paguesit. Kjo, pasi ky lloj zekati është i lidhur më shumë me personin sesa me pasurinë e tij.

 

Disa gabime në shpërndarjen e zekatit

Çështja e atyre që përfitojnë ose nuk përfitojnë zekat tashmë u trajtua. Por,

ndodh që paguesi i zekatit ia jep atë një personi që nuk e meriton, në vend të një tjetri që e ka këtë të drejtë. Lind pyetja: Për këtë gabim që ai bën a do të konsiderohet i shlyer detyrimi i zekatit apo ai do ta ketë përsëri mbi vete derisa t’ia paguajë atij që e meriton? Juristët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë pikë.

Ata që mendojnë se personi nuk duhet të paguajë zekat tjetër janë Ebu Hanife, Muhamedi, Hasani dhe Ebu Ubejde.

Ma’an ibën Jezid tregon se babai i kishte lënë mënjanë disa dinarë për sadaka dhe ia dha një burri në xhami. Ky kishte shkuar, ia kishte marrë dhe ia kishte dhënë babait. Babai nuk e kishte pranuar një gjë të tillë duke i thënë: “Pasha Allahun, nuk kam pasur për qëllim t’i jap ty”. Më pas ky ishte këshilluar me Profetin dhe ai i kishte thënë: “O Jezid! Ty të takon ajo që pate për qëllim dhe ty o Ma’an të takon ajo që ke marrë”.[179] Transmetohet nga Ahmedi dhe Buhariu.

Kuptimi i hadithit është se sadakaja në këtë rast mund të ketë qenë vullnetare, megjithëse fjalët e përdorura në këtë hadith tregojnë përgjithësim.

Ebu Hanife dhe Muhamedi mbështeten në qëndrimin e tyre nga një hadith i Ebu Hurejres, në të cilin thuhet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një burrë (nga Benu Israilët) i tha vetes: Sonte do të jap diçka për sadaka. Doli jashtë dhe ia dha, pa e ditur, sadakanë e tij një hajduti. Njerëzit filluan të flasin se atë ditë i ishte dhënë sadaka një hajduti. (Kur e mori vesh) Ai tha: I lavdëruar qofsh O Allah! Patjetër që do të jap përsëri sadaka. Doli jashtë dhe ia dha pa e ditur sadakanë e tij një gruaje imorale. Njerëzit filluan të flasin se atë ditë i ishte dhënë sadaka një gruaje imorale. (Kur e mori vesh) Burri tha: I lavdëruar qofsh O Allah! (Ia dhashë sadakanë time) Një imoraleje. Patjetër që do të jap përsëri sadaka. Kështu, doli jashtë përsëri dhe pa e ditur ia dha sadakanë e tij një të pasuri. Mëngjesin tjetër njerëzit i thanë se një natë më parë ia kishte dhënë sadakanë e tij një të pasuri. Ai tha sërish: I lavdëruar qofsh O Allah! (Ia dhashë sadakanë time) Një hajduti, një imoraleje dhe një të pasuri. Ai shikon në ëndërr dikë që i thotë: Sadakaja që i dhe hajdutit mund ta ndalojë atë nga vjedhja, ajo që i dhe asaj që ishte imorale mund ta ndalojë nga imoraliteti i saj dhe ajo që i dhe të pasurit mund ta mësojë se si ta shpenzojë pasurinë që ia ka dhënë Allahu në rrugën e Tij”.[180] Transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Pejgamberi (a.s.) i tha një burri që i kërkoi zekat: “Nëse do të kishe të drejtë të merrje zekat, do të ta kisha dhënë pjesën tënde” [Hadith Daif; siç u përmend më sipër]. Profeti u dha zekat dy personave duke u thënë: “Nëse doni sadaka, unë ju jap prej saj, por nuk ka pjesë në të për të pasurin dhe për një njeri të shëndetshëm që është i aftë të fitojë vetë”.[181]

Ibën Kudame e komenton këtë se, nëse ai do të kishte marrë parasysh gjendjen e të pasurve, nuk do të kishte qenë i kënaqur me atë çfarë ata thanë (rreth kësaj çështjeje).

Mendimi i Malikut, Shafiut, Ebu Jusufit, El Thaurit dhe Ibën El Mundhirit është se nuk shlyhet përgjegjësia e zekatit, nëse personi që e ndan atë ia jep dikujt që nuk e meriton, veçanërisht kur kjo gjë është e qartë. Ai duhet ta paguajë përsëri zekatin tek një person që e meriton atë, nëse kemi të bëjmë me një rast të tillë. Kjo i përngjan pagimit të borxheve.

Ahmedi thotë se ka dy mendime rreth një personi që ia jep zekatin e tij një të varfëri dhe më vonë merr vesh se ai është i pasur. Sipas mendimit të parë të tij zekati quhet i paguar, ndërsa mendimi i dytë është se ai nuk duhet të konsiderohet i paguar.

Kur mësohet se ai që e ka marrë zekatin ka qenë një skllav, një jobesimtar, një pjesëtar i familjes së Profetit apo një i afërm i atij që paguan zekat që nuk ka të drejtë ta marrë atë, atëherë detyrimi nuk është shlyer. Arsyeja pse është e vështirë të dallohet kush është i pasur dhe kush është i varfër tregohet në Kuran:

يَحْسَبُهُمْ الْجَاهِلُ أَغْنِيَاءَ مِنْ التَّعَفُّفِ

“Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin”. (El-Bekare, 273)

 

Të shfaqurit e sadakasë

Sadakaja, qoftë ajo vullnetare apo e detyrueshme, mund të shfaqet, përderisa personi nuk e bën këtë veprim për tu dukur, megjithëse më mirë është që ajo të mos tregohet.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنْ تُبْدُوا الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ وَإِنْ تُخْفُوهَا وَتُؤْتُوهَا الْفُقَرَاءَ فَهُوَ خَيْرٌ لَكُمْ ٌ

“Nëse i jepni lëmoshat haptas, nuk përbën problem, por nëse ua jepni fshehtas të varfërve ajo është më e mirë për ju…”. (El-Bekare, 271)

 

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi tregojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e Allahut atë ditë që nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij. Ata janë: Udhëheqësi i drejtë; i riu që rritet në adhurim për Allahun; njeriu që e ka zemrën të lidhur me xhaminë; dy njerëz që duhen për hir të Allahut duke u takuar dhe ndarë (për hir të Tij) në rrugë të Tij; ai që e jep sadakanë aq fshehtas, saqë dora e majtë nuk e di çfarë jep e djathta; një njeri që e kujton Allahun në vetmi dhe qan dhe një burrë që refuzon një grua të bukur e me pushtet (kur ajo e fton për imoralitet), duke i thënë se i frikësohet Allahut të Madhëruar”.[182]

 

 

ZEKATI FITRIT

 

Zekati i Fitrit është një lloj sadakaje që duhet të paguhet në fund të muajit të Ramazanit nga çdo musliman, i ri apo i vjetër, mashkull apo femër, i lirë apo skllav.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibën Umeri se ai ka thënë se Profeti (a.s.) urdhëroi pagesën e zekatit të Fitrit një sa’a[183] hurme ose një sa’a elbi për çdo musliman të vogël apo të madh, mashkull apo femër, të lirë apo skllav.[184]

 

Qëllimi i zekatit të Fitrit

Zekati i Fitrit u bë detyrim fetar në muajin Shaban në vitin e dytë të hixhretit. Ai synon ta pastrojë agjëruesin nga veprat dhe fjalët e pahijshme, që mund të ketë bërë e njëkohësisht të ndihmojë të varfërin dhe nevojtarin. Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Darakutni transmetojnë nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut urdhëroi nxjerrjen e zekatit të Fitrit për agjëruesin si pastrim dhe mburojë mburojë nga veprat dhe fjalët e pahijshme e të kota, si dhe në të njëjtën kohë për të siguruar ushqim për nevojtarin. Nëse personi e paguan përpara faljes së namazit të Bajramit, llogaritet si zekat, ndërsa nëse paguhet pas kësaj, ajo llogaritet si sadaka e thjeshtë.[185]

 

Kush e ka obligim ta paguajë zekatin e Fitrit?

Zekati i Fitrit është detyrim për çdo musliman të lirë që ka si pronë të tij një sa’a hurmash ose elbi, që nuk i nevojitet si ushqim bazë për vete dhe familjen e tij për një ditë dhe një natë.[186] Çdo musliman i lirë duhet ta paguajë zekatin e Fitrit për vete, gruan, fëmijët dhe shërbëtorët apo ata që ka nën kujdestarinë e tij.

 

Sasia e zekatit të Fitrit

Sasia e kërkuar për zekatin e Fitrit është një sa’a[187] grurë, elb, rrush të thatë, kos të thatë, oriz, misër apo artikuj të ngjashëm me ta, të cilët konsiderohen ushqime bazë. Ebu Hanife e ka lejuar zëvendësimin e artikullit me vlerën e tij për të paguar zekatin e Fitrit dhe nëse pagesa do të bëhej me grurë, gjysmë sa’a do të ishte e mjaftueshme.

Ebu Seid El Hudri tregon: “Ne jepnim një sa’a ushqim ose një sa’a kos të thatë ose një sa’a elb, hurma ose rrush të thatë si zekat Fitri për çdo fëmijë, plak, njeri të lirë dhe skllav, gjatë kohës që Profeti ishte gjallë. Ne vazduam të veprojmë kështu, derisa Muavija erdhi të kryejë haxhin ose umren me ne. Ai pastaj iu drejtua njerëzve nga minberi duke u thënë: “Unë mendoj se dy madë [188] gruri të Sirisë janë të barabartë me një sa’a hurmash”. Njerëzit e pranuan këtë gjë. Megjithatë, Ebu Seidi tha: “Unë do të vazhdoj të jap një sa’a hurmash sa të jem gjallë, siç kam bërë deri tani”.[189] Kjo transmetohet nga “Grupi”.

Tirmidhiu thotë se disa nga dijetarët kanë thënë se lejohet të jepet si zekat Fitri një sa’a nga çdo artikull. Shafiu dhe Is’haku e mbështesin këtë mendim, por disa dijetarë kanë dhënë nga një sa’a për çdo artikull bamirësie, përveç grurit për të cilin jepnin gjysmë sa’a. Këtë e thonë Sufjani, Ibën El Mubareku dhe dijetarët e Kufes.

 

Kur është i detyrueshëm zekati i Fitrit ?

Dijetarët bien dakord se zekati i Fitrit është i detyrueshëm në fund të Ramazanit, por kanë mendime te ndryshme për kohën e saktë të dhënies së tij.

El Thauri, Ahmedi, Is’haku, Shafiu (sipas mendimit të tij të fundit) dhe Maliku (në njërin prej trasmetimeve të tij) janë të mendimit se zekati i Fitrit është i detyrueshëm të jepet në perëndim të prishjes së agjërimit të natës së Bajramit, pasi kjo është koha kur mbaron muaji i Ramazani. Ebu Hanife, El Lajth, Shafiu (në mendimin e tij të parë) dhe një transmetim i dytë i Malikut thotë se zekati i Fitrit është detyrë të nxirret në fillim të agimit në ditën e Bajramit.

Këto dy mendime kanë qëndrime të ndryshme, përsa i përket foshnjës që lind pas perëndimit të diellit dhe para agimit të ditës së Bajramit. Pyetja që shtrohet është nëse zekati i Fitrit është i detyrueshëm për foshnjen e lindur apo jo. Sipas mendimit të parë foshnja nuk është i detyruar, përderisa ai ka lindur pas kohës kur Fitri është detyrim, ndërsa sipas mendimit të dytë, është e detyruar, sepse ai ka lindur në harkun kohor para kohës kur zekati i Fitrit është bërë detyrim.

 

Pagesa e zekatit të Fitrit para kohës së caktuar

Shumica e dijetarëve mendojnë se është e lejuar të paguash zekatin e Fitrit një ose dy ditë përpara Bajramit. Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) i urdhëroi njerëzit të paguanin zekatin e Fitrit, përpara se ata të shkonin të falnin namazin e Bajramit.[190]

Nafiu transmeton se Umeri e paguante atë një ose dy ditë përpara fundit të Ramazanit.[191]

Dijetarët kanë mendime të ndryshme, nëse bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë kohore. Sipas Ebu Hanifes, lejohet ta paguash zekatin e Fitrit edhe para Ramazanit. Shafiu ka mendimin se lejohet ta paguash zekatin e Fitrit në fillim të muajit të Ramazanit.

Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se pagesa e zekatit të Fitrit është e lejuar të kryhet një ose dy ditë përpara. Themeluesit e katër shkollave juridike islame të pranuara bien dakord se zekati i Fitrit nuk shfuqizohet si detyrim, edhe nëse nuk është paguar në kohën e caktuar. Nëse ndodh kështu, ai bëhet një borxh mbi përgjegjësinë e personit, derisa të paguhet, qoftë edhe në fund të jetës. Gjithashtu, dijetarët bien dakord se nuk lejohet ta shtysh nxjerrjen e zekatit të Fitrit më tepër se deri në ditën e Bajramit, përveç Ibën Sirinit dhe Nahait, të cilët janë të mendimit se kjo mund të bëhet. Ahmedi thotë se shpreson të mos ketë dëm në vonesën e pagesës së tij.

Ibën Reslani thotë se ka një konsensus që e ndalon shtyrjen e pagesës së zekatit të Fitrit, pasi ai është një lloj zekati. Për këtë, kjo vonesë konsiderohet mëkat dhe është e ngjashme me shtyrjen e namazit. Kjo vërtetohet dhe nga hadithi i mëposhtëm: “Nëse dikush e paguan zekatin e Fitrit para namazit, do të quhet si një zekat i pranuar. Nëse ai e paguan pas namazit, konsiderohet si sadaka e thjeshtë”.[192]

 

 

Shpërndarja e zekatit të Fitrit

Shpërndarja e zekatit të Fitrit është e njëjtë me atë të zekatit në përgjithësi. Ai duhet t’i ndahet tetë grupeve të përmendura në Kuran:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ …

“Allahu caktoi obligim që lëmoshat t’iu takojnë të varfërve…” (Et-Teube, 60)

Kategoria që përfshin të varfërit konsiderohet si kategoria që ka më tepër prioritet se kategoritë e tjera. Kjo mbështetet dhe nga hadithi i mësipërm, në të cilin Profeti (a.s.) ka urdhëruar dhënien e zekatit të Fitrit si pastrim për agjëruesin nga veprat dhe fjalët e pahijshme dhe si ushqim për nevojtarët.

Bejhakiu dhe Darakutni transmetojnë nga Ibën Umeri se ky i fundit ka thënë se i Dërguari i Allahut i kishte urdhëruar njerëzit për zekatin e Fitrit dhe u kishte thënë: “Ndihmojini ata që të mos lypin në këtë ditë”.[193]

 

Dhënia e zekatit të Fitrit dhimiut[194]

Zuhri, Ebu Hanife, Muhamedi dhe Ibën Shubrume e kanë lejuar dhënien e zekatit të Fitrit për dhimiun. Ata e kanë mbështetur mendimin e tyre në ajetin kuranor: Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësi”. (El-Mumtehineh, 8)

 

A ka detyra të tjera mbi pasurinë, përveç zekatit?

Islami e trajton pasurinë në mënyrë realiste si një bosht esencial të jetës dhe të mjeteve të mbijetesës së individit dhe shoqërisë. Allahu i Madhëruar urdhëron: “Mendjelehtëve mos u jepni nga pasuria juaj që Allahu e bëri mjet mbështetjeje për ju…”. Kjo tregon se pasuria duhet të ndahet për të plotësuar nevojat bazë të ushqimit, veshmbathjes, strehimit dhe gjërave të tjera të nevojshme. Prandaj, askush nuk duhet të harrohet ose të lihet pa mbështetje.

Zekati është mënyra më e mirë e shpërndarjes së pasurisë së tillë, në mënyrë që të gjithë të plotësojnë nevojat e tyre. Ai nuk vë ndonjë barrë mbi pasurinë dhe në të njëjtën kohë plotëson nevojat bazë të të varfërve, duke ua lehtësuar atyre vështirësitë e jetës dhe duke e ndihmuar atë kategori njerëzish, për të mos i privuar nga e drejta e tyre.

Zekati nuk është një nder që i pasuri ia bën të varfërit, por është një detyrë që Allahu ua besoi të pasurve për t’ua ndarë të varfërve dhe atyre që e meritojnë. Kështu e vërteta rreth pasurisë dhe pronës është vendosur. Pasuria nuk është posaçërisht e të pasurve, por si për të pasurin ashtu edhe për të varfërin. Kjo gjë bëhet e qartë në gjykimin e Allahut për shpërndarjen e plaçkës së luftës. Allahu urdhëron:

مَا أَفَاءَ اللَّهُ عَلَى رَسُولِهِ مِنْ أَهْلِ الْقُرَى فَلِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ كَيْ لا يَكُونَ دُولَةً بَيْنَ الأَغْنِيَاءِ مِنْكُمْ

“Atë që Allahu ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon Allahut, të dërguarit, të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve që ajo të mos ndahet në mes pasanikëve tuaj…” ( Kuran: El Hashr 7).

Kjo do të thotë se ajo që folëm më sipër është një përpjestim i pasurisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve dhe jo si diçka që ka të bëjë vetëm për pasurinë. Zekati është një detyrë mbi pronën e atyre që janë në gjendje ta paguajnë atë dhe ta përdorin për të plotësuar nevojat bazë të të varfërve dhe nevojtarëve. Kjo bëhet për t’i mbajtur larg nga uria dhe që t’u jepet një ndjenjë sigurie dhe mirëqënie e përgjithshme. Nëse sasia e zekatit nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar kushtet e të varfërve dhe nevojtarëve, atëherë i pasuri duhet të paguajë taksa të tjera. Nuk është e specifikuar sasia që merret. Kjo sasi vendoset sipas nevojës së të varfërve.

Në komentin që i bëhet ajetit 177 të sures El Bekare, Kurtubi thotë se thënia e Allahut të Madhëruar: “…dhe pasurinë që e do, jepua të afërve, nevojtarëve, të varfërve, udhëtarëve dhe lypësve…” mbështet mendimin e atyre që thonë se mbi pasurinë, përveç zekatit, ka dhe detyrime të tjera. Të tjerë kanë mendimin se ajeti i mësipërm nënkupton se zekati është i detyrueshëm. Mendimi i parë është më i saktë.

Darakutni transmeton nga Fatima bint Kajs se Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë që mbi pasurinë ka detyra të tjera, përveç zekatit të caktuar”. Pastaj ai ka lexuar ajetin kuranor:

لَيْسَ الْبِرَّ أَنْ تُوَلُّوا وُجُوهَكُمْ قِبَلَ الْمَشْرِقِ وَالْمَغْرِبِ وَلَكِنَّ الْبِرَّ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَالْمَلاَئِكَةِ وَالْكِتَابِ وَالنَّبِيِّينَ وَآتَى الْمَالَ عَلَى حُبِّهِ ذَوِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينَ وَابْنَ السَّبِيلِ وَالسَّائِلِينَ وَفِي الرِّقَابِ وَأَقَامَ الصَّلاَةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَالْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَاهَدُوا وَالصَّابِرِينَ فِي الْبَأْسَاءِ وَالضَّرَّاءِ وَحِينَ الْبَأْسِ أُوْلَئِكَ الَّذِينَ صَدَقُوا وَأُوْلَئِكَ هُمْ الْمُتَّقُونَ

 “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun”.  (El-Bekare, 177) [195]

Hadithin e mësipërm Ibën Maxhe e përmend në librin e tij “Es Sunen” dhe Tirmidhiu në librin e tij “El Xha’mi”. Ky i fundit thotë se vargu i transmetuesve të tij nuk është ai që duhet të jetë. Po ashtu Mejmun El Auar konsiderohet si transmetues i dobët. Këtë e transmeton Bejani dhe Ismail ibën Selimi, i cili transmeton nga Shu’abi që thotë se është më i vërteti në këtë çështje. Unë them (autori) se, edhe nëse ekziston ndonjë dyshim rreth vërtetësisë së tij, kjo sqarohet nga konteksti i ajetit 177 të sures El Bekare. Në thënien “…që e fal namazin dhe e japin zekatin…”, Allahu e përmend zekatin me namazin, gjë që mbështet faktin se “…të shpenzosh nga pasuria jote për të afërmit, nevojtarët, të varfërit, udhëtarët dhe lypsët…”, nuk i referohet zekatit të detyrueshëm, ngase kjo do të ishte përsëritje. Megjithatë, Allahu e di më së miri.

Dijetarët bien dakord se, nëse nevoja rritet, bashkësia muslimane është e detyruar të kontriubojë në zgjidhjen e problemit, edhe nëse zekati është paguar. Maliku thotë se është e detyrueshme për njerëzit që të lirojnë ata që kanë marrë si të burgosur lufte, edhe nëse kjo do të thotë se do të mbaronte gjithë pasuria e tyre. Konsensusi mbi këtë temë e forcon mendimin tonë. Ne kërkojmë sukses vetëm nga Allahu.

Sipas “El Menar”, ajeti 177 i sures El Bekare do të thotë që personi duhet të japë pasurinë për hir të Allahut ose e jep atë, edhe nëse e do shumë. Muhamed Abduhu thotë:

“Të japësh nga pasuria më tepër se zekati i detyruar, është nga elementet bazë të mirësisë dhe është e detyrueshme si zekati i detyruar. Kur është e nevojshme, përveç zekatit, jepet edhe sadaka. Kjo mund të bëhet përpara plotësimit të haulit ose pas pagesës së zekatit. Kontributi nuk bazohet mbi sasinë e veçantë të nisabit, por mbi mundësinë për të dhënë”.

Kështu, nëse personi ka vetëm një copë bukë dhe sheh dikë që është më nevojtar se ai, atij i del si detyrë t’ia japë atij, në rast se nuk i duhet për veten e tij. Personi në vështirësi nuk është i vetmi që ka të drejtën të plotësojë nevojat.

Gjithashtu, Allahu i urdhëron besimtarët t’u japin sadaka vullnetare[196] grupeve të mëposhtme:

 

– Të afërmit

 

Të afërm konsiderohen njerëzit që e meritojnë më shumë dhuratën e sadakasë për shkak të lidhjes së gjakut. Kur një njeri është në nevojë dhe të afërmit e tij janë të pasur, natyrshëm ai pret ndihmë nga ata, pasi ata janë një familje.

Gjithashtu, është krejt e natyrshme për një njeri të ndjejë keqardhje më shumë për të afërmit e tij nevojtarë dhe në vështirësi, sesa për të huajt. Ai ndihet i poshtëruar, kur ata janë në një pozitë të ulët dhe fisnik kur ata janë të nderuar. Për këtë, çdo njeri që ndërpret ndihmën ndaj të afërmve të tij, ndërkohë që vetë jeton në luks dhe ata janë në gjendje të vështirë, ai nuk ka ndjenja humane dhe besim të plotë. Rrjedhimisht, ky person është shumë larg mëshirës dhe mirësisë.

Nga ana tjetër, ai që mban lidhje të ngushta me të afërmit, mbështetja e tij është e siguruar dhe marrëdhënia e tij është në të mirë të të afërmve të tij.

 

– Jetimët

Në rastin e jetimëve, kujdestarët e të cilëve kanë vdekur, rritja e tyre varet nga muslimanët e pasur. Në këtë mënyrë, ata nuk do të bëhen problem për veten e tyre dhe për njerëzit e tjerë.

 

– Nevojtari

Të pasurit duhet t’i ndihmojnë nevojtarët, pasi ata nuk janë në gjendje të fitojnë për të mbajtur veten e tyre dhe janë të kënaqur me atë pak që kanë dhe nuk lypin e as nuk u kërkojnë të tjerëve.

 

– Udhëtari

Këtu bëhet fjalë për të ndihmuar personin që ka mbetur në mes të udhës, i cili është larg nga familja dhe të afërmit e tij. Ai duhet ndihmuar dhe duhet trajtuar sa më butësisht për t’ia lehtësuar vështirësitë e udhëtimit.

 

– Lypësi

Po ashtu, duhet ndihmuar edhe lypësi, i cili është i detyruar të kërkojë nga njerëzit për të plotësuar nevojat e tij. Lejohet që një njeri të kërkojë ndihmë, në mënyrë që të plotësojë nevojat e një tjetri. Megjithatë, Sheriati nuk e aprovon të lypurit, përveçse për rrethana tepër të domosdoshme. Edhe në atë rast, personi nuk duhet ta teprojë.

 

– Robërit

Lirimi i robërve përfshin blerjen dhe lirimin e tyre, të ndihmuarit e robërve të përkohshëm, duke shlyer borxhet e tyre dhe duke i ndihmuar ata që të blejnë lirinë e tyre. Sheriati kërkon t’i nderojë robërit, duke i inkurajuar njerëzit të shpenzojnë pasurinë e tyre për ta. Sado i rëndësishëm, lirimi i robërve sipas prioriteteve vendoset në fund pas jetimëve, nevojtarëve dhe udhëtarëve. Kjo, pasi theksi bie mbi nevojën për të ruajtur jetën (e cila ka një vlerë më të lartë), ndërsa tjetra bie mbi të drejtën e lirisë (një vlerë më e paktë se jeta).

Ligjshmëria e dhënies së sadakasë, ndryshe nga ajo e zekatit, nuk është e

kufizuar në një kohë apo vlerë të caktuar. Sasia e caktuar për t’u shpenzuar duhet të mos jetë një përqindje (për shembull 1/10 çereku i 1/10 ose 1/10 e të dhjetës). Kjo është një çështje e hapur që i lihet bamirësisë, bujarisë dhe kushteve të atij që jep.

Mbrojtja e një njeriu të respektuar nga shkatërrimi dhe dëmtimi është detyrë për cilindo që ka mundësi ta ndihmojë atë.

Është fakt se njerëzit sot nuk i përfillin shumicën e këtyre të drejtave publike. Kurani nxit për respektimin e këtyre të drejtave, pasi ato kërkojnë të themelojnë një jetë sociale të drejtë dhe të ndershme. Njerëzit shpenzojnë vetëm një sasi të vogël për nevojtarët dhe veçanërisht për lypësit, megjithëse në ditët tona ata konsiderohen se janë ata që e meritojnë më pak ndihmën. Kjo, për faktin se shumë lypësa e kanë kthyer të lypurit në profesion, megjithëse shumica e tyre nuk janë në gjendje të keqe.

Ibën Hazmi thotë se është detyrë për të pasurit e çdo shteti, të ndihmojnë të varfërit e tyre dhe udhëheqësi ka autoritetin për t’i detyruar ata ta bëjnë këtë. Kjo bëhet kur zekati i caktuar ose pronat e muslimanëve nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat e të varfërve. Në këtë rast ushqimi dhe veshmbathja e tyre duhet të sigurohen nga të pasurit. Fakti që e mbështet këtë është fjala e Allahut të Madhëruar:

وَآتِ ذَا الْقُرْبَى حَقَّهُ وَالْمِسْكِينَ وَابْنَ السَّبِيلِ وَلاَ تُبَذِّرْ تَبْذِيرًا

“Jepu të afërmve, nevojtarëve dhe udhëtarëve pjesën e tyre”. (El-Isra, 26)

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا وَبِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَالْجَارِ ذِي الْقُرْبَى وَالْجَارِ الْجُنُبِ وَالصَّاحِبِ بِالْجَنْبِ وَابْنِ السَّبِيلِ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ

“Silluni mirë me prindërit, me të afërmit, me jetimët, me nevojtarët, me të varfërit, me fqinjët e afërt dhe ata të largët, me shokët, me udhëtarët dhe robërit”. (En-Nisa, 36)

Bujaria inkurajon mbështetjen për njerëzit e sipërpërmendur dhe ndalon dëmtimin e tyre. Përsa i përket dënimit në botën tjetër, Kurani thotë se banorët e zjarrit do të pyesin njëri-tjetrin:

مَا سَلَكَكُمْ فِي سَقَرَ)قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ الْمُصَلِّينَ)وَلَمْ نَكُ نُطْعِمُ الْمِسْكِينَ

“Çka ju solli juve në sekar? Ata thonë: Ne nuk kemi qenë prej atyre që faleshin dhe nuk kemi qenë prej atyre që ushqenin të varfërit”. (El-Mudethir, 42-44)

Në këtë ajet kuranor, Allahu e ka lidhur të ushqyerit e nevojtarit me namazin.

Sipas hadithit të mëposhtëm, të transmetuar nga burime të vërteta, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush nuk mëshiron njerëzit, nuk mëshirohet nga Allahu”.[197]

Ai person, të cilit Zoti i ka dhënë plot begati dhe ai e sheh vëllain e tij musliman të uritur, në nevojë për veshmbathje dhe të mjerë dhe nuk e ndihmon atë, ai me të vërtetë që e ka mënjanuar veten e tij nga mëshira e Allahut.

Othman En-Nehdi tregon se Abdurrahman ibën Ebu Bekr Es-Sidik e njoftoi atë se muhaxhirët ishin të varfër dhe i Dërguari i Allahut tha: “Ai që ka ushqim të mjaftueshëm për dy vetë, le të thërrasë një të tretë! Kush ka ushqim të mjaftueshëm për katër vetë, le të therrasë një të pestë ose një të gjashtë!” [198]

Transmetohet nga Ibën Umeri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit; ai nuk i bën padrejtësi atij e nuk e mashtron atë”.[199]

Kështu, cilido që e lë një musliman nevojtar pa ushqim dhe veshmbathje, ndërkohë që ai ka mundësi ta veshë dhe ta ushqejë, ai e ka mashtruar atë.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kujt i teprojnë kafshët mbartëse që ka, le t’ia japë atij që nuk ka dhe kujt i teprojnë ushqimet, pasi ka plotësuar nevojat e tij, le t’i ndajë me ata që nuk kanë ushqim”. Ebu Seidi vazhdon: “Pastaj Profeti (a.s.) përmendi shumë lloje gjërash, saqë menduam se askujt nga ne nuk i takonte të mbante asgjë të tepërt për vete”.[200]

Ky është mendimi unanim i sahabëve, siç transmetohet nga Ebu Musa El Eshari që Profeti (a.s.) ka thënë: “Ushqeni të varfërin, vizitoni të sëmurin dhe lironi robërit”.[201]

Ka shumë ajete kuranore dhe hadithe të shumta që mbështesin këtë temë.

Omeri (r.a.) ka thënë: “Nëse do të mund të kthehesha të jetoja dhe njëherë të shkuarën që e kam jetuar, do t’ua merrja tepricën të pasurve dhe do t’ua shpërndaja muhaxhirëve të varfër”. Kjo thënie konsiderohet si e vërtetë.

Aliu (r.a.) ka thënë se Allahu i Madhëruar ka caktuar detyrim mbi pronat e të pasurve për të plotësuar nevojat e të varfërve. Kështu, nëse i varfëri ecën i uritur, i zhveshur apo i rraskapitur, ajo bëhet për shkak të neglizhencës së të pasurve. Allahu do t’u kërkojë atyre llogari në Ditën e Gjykimit dhe do t’i dënojë ata.[202]

Transmetohet se Ibën Umeri (r.a.) ka thënë: “Ka një detyrë tjetër mbi pronat tuaja, përveç zekatit”.

Transmetohet nga Aishja (nëna e besimtarëve), El Hasen ibën Ali dhe Ibën Umeri se të gjithë ata janë përgjigjur në të njëjtën mënyrë, kur janë pyetur për këtë temë: “Nëse ju kërkohet të ndihmoni me para njerëzit me afërsi gjaku, njerëzit me borxhe të shumta ose njerëzit në një varfëri të mjerueshme, atëherë e keni për detyrë t’u jepni nga pasuria juaj”.

Transmetohet me përpikmëri nga Ebu Ubejde ibën El Xherah dhe 300 sahabë të tjerë se, njëherë kur rezervat e tyre ishin pakësuar, Ebu Ubejde urdhëroi të mblidhnin rezervat e tyre dhe t’i vendosnin në dy thasë. Pastaj ai urdhëroi t’u ndaheshin secilit në mënyrë të barabartë.

Kjo gjë gëzon një konsensus të plotë dhe nuk ka mendime të kundërta rreth saj.

Transmetohet nga Sha’bi, Muhamedi, Tausi dhe të tjerë se ka një detyrim tjetër mbi pronën përveç zekatit.

Ai (Sha’bi) ka thënë: “Nuk lejohet për një musliman në vështirësi të hajë mishin e një kafshe të ngordhur ose derri, kur ai ka mundësi të gjejë ushqim nga një musliman ose një dhimi. Është detyrë për atë që disponon ushqim, të ushqejë të uriturin”.

Në një rast të tillë, personi në vështirësi nuk është i detyruar të hajë mishin e kafshëve të ngordhura ose mishin e derrit. Ai ka të drejtën të luftojë për pjesën që i takon dhe nëse ai vritet, atëherë vrasësi duhet të paguajë shpagim për të.[203] Nëse vritet personi që nuk e lëshonte pjesën e pasurisë që i takonte personit tjetër, atëherë mallkimi i Allahut është mbi të, pasi ai mbajti një të drejtë dhe do të konsiderohet zullumqar.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nëse një grup prej tyre i bën padrejtësi tjetrit, luftojini ata që bëjnë padrejtësi, derisa t’i kthehen urdhërave të Allahut!”.

Kështu, ai që nuk e jep të drejtën është një shtypës i vëllait të tij. E drejta i takon këtij të fundit. Bazuar mbi këtë parim, Ebu Bekër Es-Sidiku shpalli luftë për ata që refuzuan të paguanin zekatin.

Nga çfarë thamë më sipër, kuptohet vendi dhe pozita e lartë që Islami u jep të shtypurve nga nevoja. Faktikisht, Islami shquhet për butësinë dhe mëshirën e paimagjinueshme mbi të gjitha besimet dhe sistemet e tjera të vendosura nga njerëzit. Këto të fundit ngjajnë me ndriçimin e dobët të qiririt, përballë dritës rrezatuese dhe të qëndrueshme të Islamit.

 


[1] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2 Marrë nga libri “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” i Alija Izetbegoviç.

[3] Libri “Sahihul-Buhari” fq. 342.

[4] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

[5] Me nisab kuptojmë përmbushjen e sasisë së duhur të pasurisë, e cila obligon nxjerrjen e zekatit. ( Shënim i redaktorit).

[6] Buhariu 1395, 1496, 2448, 4347, 7371, Muslimi 121, Ebu Daudi 1584, Tirmidhiu 625, 2014, Nesai 2434, Ibën Maxheh 1783, Ahmedi 1/233.

[7] Hadith Daif. “Et Targib” 462, “Tamamul Mineh” 357. E ka nxjerrë Taberani në “Es Sagir” 1/162, , Ebu Ubejd 1909.

[8] Hadith Sahih. “El Mishkat” 5287, “Et Targib” 16,869,2463, “Sahihul Xhami” 3024. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2325, Ibën Maxheh 4228, Ahmedi 17339.

[9] Hadith Sahih Ligajrihi. “Et Targib” nën hadithin nr. 856. E ka nxjerrë Tirmidhiu 661, Ahmedi 2/268,404,471.

[10] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 358. E ka nxjerrë Ahmedi 3/136.

[11] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1387, “Et Targib” 374. E ka nxjerrë Ebu Jeala në “Musnedin” e tij 2/216, Ahmedi 6/145, Tahaviu në “El Mushkil” 2/50, el Hakim 1/19, 4/384.

[12] Hadith Hasen Ligajrihi. “Et Targib” 743. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat”, Ibën Huzejme, El Hakim.

[13] Buhariu 57, 501, 1336, 2049, 2566, Muslimi 197, Tirmidhiu 1925, Darimi 2/248, Ahmedi 4/358,361,364,365.

[14] Çdo pasuri e akumuluar, për të cilën nuk është dhënë zekati, quhet thesar (kenz), ndërsa pasuria e cila është pastruar me dhënien e zekatit nuk quhet thesar, sado e madhe qoftë.

[15] Buhariu 1402 me kuptim të përafërt dhe të shkurtuar, Muslimi 2289, Ebu Daudi 1658, Ibën Maxheh 2788, Ahmedi 2/262,383.

[16] Buhariu 1403, Muslimi 2293 me kuptim të përafërt, Nesai 2482, Ahmedi 2/98, 137, 156, 355, 489.

[17] Hadith Sahih. “Et Targib” 764. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 4019.

[18] Ky burrë ka qenë sahabi i njohur Ebu Dherr El-Gafari.

[19] Buhariu 1407, Muslimi 2303.

[20] Hadith Hasen. “El Irva” 791 (3/263). E ka nxjerrë Ebu Daudi 1575, Nesai 2444, Darimi 1/396, Ibën Ebi Shejbe 4/10, Ibën Xharudi 174, el Hakim 1/398, Bejhakiu 4/105, Ahmedi 4/2,4.

[21] Buhariu 25, Muslimi 128, Ebu Daudi 2641, Nesai 3967, Bejhakiu 4/104, el Hakim 1/387.

[22] Këta arabë ishin antarë të fisit Beni Jerbuë. Ata kishin grumbulluar zekatin për t’ia dërguar Ebu Bekrit, por Malik ibën Nuejre i ndaloi që ta jepnin dhe ua shpërndau atë mes tyre. Ishin këta individë, për të cilët Umeri r.a. ishte në mëdyshje dhe u bënë shkak për diskutimin që pati me Ebu Bekrin në lidhje me rastin e tyre, për të cilët argumentoi me hadithin e lartpërmendur. Luftimi i tyre u zhvillua në vitin e 11 pas hixhretit te Profetit a.s.

[23] Buhariu 1399, Muslimi 124, Ebu Daudi 1556,1557, Tirmidhiu 2607, Nesai 2443, Bejhakiu 4/104, el Hakim 1/387.

[24] Sipas verifikimit të tekstit të hadithit, përmendet se termi “litari që lidh devenë”, është përmendur për t’i dhënë një rëndësi të veçantë dhënies së zekatit.

[25] P.sh. duke shitur një pjesë të pasurisë gjatë vitit, ose duke e konvertuar atë me një lloj tjetër pasurie, me qëllim që të mos përmbushet kushti i zekatit për një lloj të caktuar pasurie, duke bërë kështu të mundur që ajo pasuri e transformuar në një lloj tjetër, t’i përkasë një viti të ri të përllogaritjes së zekatit.

[26] Hadith Daif. “El Irva” 788. E ka nxjerrë Tirmidhiu 641, Darakutni 206, Bejhakiu 4/107.

[27] Maliku 1/251, Darakutni 2/109,110.

[28] Tirmidhiu 641.

[29] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2243. E ka nxjerrë Buhariu Mualak “Kitabul Vesaja”, tema nr. 9, në formë të prerë si fjalë e Pejgamberit a.s., Taberani në “El Kebir” 3/227, Ahmedi 2/394,

[30] Nxjerrja e tij është përmendur më parë nga hadithi i Muadh ibën Xhebel kur u dërgua në Jemen.

[31] Do të përmendet më poshtë.

[32] Buhariu 1953, Muslimi 2689, Ebu Daudi 3310, Tirmidhiu 716,717, Ibën Maxheh 1758.

[33] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[34] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[35] Ibni Batal thotë: “Nga ky hadith përfitojmë që njeriu duhet të nxitojë në kryerjen e veprave të mira, pasi jetës nuk i dihet dhe vdekja s’ka siguri, ashtu si pengesat dhe sëmundjet që i shfaqen njeriut pa pritur e pa kujtuar, prandaj dhe zvarritja e punëve në kësi rastesh nuk është kurrsesi e pëlqyer.

[36] Hadith Daif. “Ed Daife” 5069, “Et Targib” 469, “Daiful Xhami” 5057.

[37] Hadith Daif. “El Mishkat” 1793. E ka nxjerrë el Humejdi 1/115.

[38] Hadith Hasen. “El Irva” 857. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1624, Tirmidhiu 678, Ibën Maxheh 1795, Darimi 1/385, Ibën Xharudi 360, Ibën Seid 4/17, Darakutni 212-213, el Hakim 3/332, Bejhakiu 4/111, Ahmedi 1/104.

[39] Buhariu 1497, Muslimi 2489, Ebu Daudi 1590, Nesai 2458, Ibën Maxheh 1796.

[40] Hadith Sahih. Nesai 2458, Bejhakiu 4/157.

[41] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1573, Bejhakiu 4/160.

[42] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 4375. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1574, Tirmidhiu 620, Nesai 2477,2478, Ibën Maxheh 1790.

[43] Ibën Hazmi, me këtë hadith, nuk ka argumentuar të njëjtin mendim të lartpërmendur, sepse ai e konsideron këtë hadith të dobët, prandaj dhe rezulton që kjo të jetë shndërruar në një çështje të përgjithshme. Shih El-Muhala 80-86/6; Temamul Minneh, El Albani.

[44] Hadith Hasen. “El Irva” 3/296 (817), “El Mishkat” 1809, “Et Targib” 768  E ka nxjerrë  Ebu Daudi 1563, Tirmidhiu 637, Nesai 2479, Ahmedi 2/178, 204, 208.

[45] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 361-362. E ka nxjerrë Ahmedi 6/453, 454, 455, 459, 460.

[46] Hadith Sahih. “El Irva” 3/296, “Et Targib” 769, “Adabu Zifaf” 191. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1565, Darakutni 205, el Hakim 1/389-390, Bejhakiu 4/139.

[47] Hadith Sahih. “El Irva” 3/295. E ka nxjerrë Shafiu 1/239, Ebu Ubejdi 442, Darakutni 205, Bejhakiu 4/138.

[48] Bejhakiu 4/138.

[49] Hadith Sahih. “Adabu Zifaf” 192. Maliku 1/250, Bejhakiu 4/138.

[50] Maliku 1/250.

[51] I referohet ajetit: “Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm.”

[52] Brezi i muslimanëve fill pas brezit të sahabëve. – Shënim i redaktorit.

[53] Këtu përfshihen mallrat dhe jo vlera e tyre monetare.

[54] Hadith Daif. “El Irva” 827. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1562, Bejhakiu 4/146,147, Darakutni f. 214.

[55] Hadith Daif. “Ed Daife” 1178. E ka nxjerrë Darakutni f. 203, Ibën Hibani në “Eth Thikat” 9/234, el Hakim 1/388, Bejhakiu 4/147.

[56] Ether Daif. “Tamamul Mineh” 368, “El Irva” 828. E ka nxjerrë Ebu Ubejd në “El Emval” 425 (1179), Shafiu 1/236, Bejhakiu 4/147, Darakutni 2/125.

[57] Edhe mendimi i medh’hebit përkatës është në përputhje me këtë gjykim.

[58] Sipas Imam Malikut viti merret parasysh edhe nëse nuk është përmbushur nisabi. Nëse në fund të vitit mallrat e tregtarit e plotësojnë nisabit, atëherë ai duhet të japë zekat për to.

[59] Hadith Sahih. “El Irva” 801, “Tamamul Mineh” 369. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 4/19, Darakutni 201, el Hakim 1/401, Bejhakiu  4/128-129.

[60] Hadith Daif xhiden – shumë i dobët. “El Irva” 801, “Tamamul Mineh” 369. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1815, Bejhakiu 4/129.

[61] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “El Irva” 3/279. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/129, El Ethrem në “Sunenet” e tij, siç thuhet në “El Munteka” 4/29.

[62] Hadith Sahih. “El Irva” 801. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 4/19.

[63] Bejhakiu 4/125.

[64] Nënkupton shumicën e tyre.

[65] Buhariu 1483, Muslimi 2269 me kuptim të njëjtë, Ebu Daudi 1596, Tirmidhiu 640, nesai 2489, Ibën Maxheh 1816,1817, Maliku 1/270, Ahmedi 1/145, 3/341,353.

[66] Pesë evsuk janë të barabartë me 1600 ratl irakienë. Një ratl irakian është afërsisht i barabartë me 130 derhem.

[67] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[68] Buhariu 1447 dhe Muslimi 2260; nga Ebu Seid el Hudri, Ahmedi 2/402, Bejhakiu 4/120, Tirmidhiu 626.

[69] Buhariu 1405, 1447, Muslimi 2264, Ebu Daudi 1558, Tirmidhiu 626,627, Nesai 2445,2472, Ibën Maxheh 1793.

[70] Transmetim Daif. “El Irva” 803. E ka nxjerrë Ahmedi 3/296, Ebu Daudi 1560, Ibën Maxheh 1832.

[71] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[72] Një dheud në arabisht përdoret për devetë, minimalisht dy deve. Thuhet që është kusht që ato të jenë të tëra femra. Shih Lisanul-Arab dhe Taxhul-Arus. (Shënim i Red.)

[73] Muttefekun alejhi. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[74] Buhariu 1454, Ebu Daudi 1567, Tirmidhiu 620, Maliku 1/257,258.

[75] Muttefekun alejhi.

[76] Njësi matëse në Egjypt është e barabartë me 16. 72 L.

[77] Një peshë që varion 100 paund. Në Egjypt është e barabartë me 44. 93 kg.

[78] El Hakim 1/401, Bejhakiu 4/129.

[79] Muttefekun alejhi. Është përmendur më sipër.

2 Ihrami është veshja që mban personi gjatë peligrinazhit në Mekë. Pelegrini zakonisht mban veshur dy copa të bardha të njëjta.

[81] Ixhtihadi është një gjykim i pavarur në një çështje ligjore ose teologjike, e cila bazohet në interpretimin dhe përdorimin e katër parimeve bazë të jurisprudencës islame.

[82] Vetë ky dijetar hanefi e konsideron mendimin e shumicës si më të saktë.

[83] Kafizi, madi dhe erdebi janë njësi matëse të përdorura në këto vende muslimane.

[84] Forma e argumentimit: Ky hadith përmban në kontekst një paralajmërim për ndalimin e detyrimeve dhe bën sqarimin e tyre dhe se këto detyrime përfaqësojnë vetëm haraçin (taksën): Nëse e dhjeta do të ishte detyrim, atëherë nuk do të lihej pa përmendur.

[85] Muslimi 7206, Ebu Daudi 3035, Ahmedi 2/262.

[86] Emër vendi. “Vadi El Kura” shqipërohet “Lugina e fshatrave”. – Shënim i redaktorit.

[87] Buhariu 1872, Muslimi 3358,5907, Ebu Daudi 3079, Ahmedi 5/424.

[88] Maliku është i mendimit se kjo është vaxhib, ndërsa Shafiu dhe Ahmedi e shohin sunet.

[89] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 373, “Ed Daife” 2556, “Daiful Xhami” 476. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1605, Nesai 2491, Tirmidhiu 643, Ahmedi 3/448, 4/322.

[90] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 373.

[91] Transmetim Mursel. “Tamamul Mineh” 374. E ka nxjerrë Ebu Ubejd 1453.

[92] Nëse një sasie prodhimi të mirë i bashkohet një sasi tjetër jo e një cilësie të mirë, atëherë zekati merret në raport të drejtë me sasinë e secilit prej tyre, e nëse sasia në total përfshin disa lloje prodhimi atëherë zekati merret prej llojit të një cilësie të mesme.

[93] Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Për Ebu Hanifen, zekati bëhet i detyrueshëm qysh me daljen e farave dhe fryteve.

[94] Hadith Sahih. “Sahih Ebi Daud” 1425. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1607, Nesai 2492.

[95] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2987, Ibën Maxheh 1822.

[96] Ky është mendimi i Ebu Hanifes dhe Ahmedit. Shafiu është i mendimit që, nëse kafshës i jepet tagji në një sasi jo të konsiderueshme pa të cilën mund të mbijetojë, duhet të jepet zekat për të e në të kundërt jo. Ajo nuk mund të durojë pa tagji më shumë se dy ditë.

[97] Prej dhenve, një dele ose shqerrë, e cila është më e madhe se gjashtë muaj, të jep përshtypjen se është e rritur. Prej të dhirtave, një dhi ose cjap që ka mbushur vitin.

[98] Sheukani thotë: “Kjo dëshmon se, zekati është detyrim i përcaktuar mbi sendin, mallin, vlerën apo kafshën e përmendur konkretisht. Në rast se zekati do të ishte detyrim i përcaktuar, duke u nisur nga vlera monetare e llojeve të ndryshme të asaj që konsiderohet pasuri, atëherë do të rezultonte se të gjitha këto kushte dhe kategori të përmendura, nuk do kishin kurrfarë vlere.

[99] Ahmedi 2/15, Darimi 1/382 me shprehje të përafërt.

[100] Në të përfshihet edhe bualli.

[101] Medh’hebi hanef lejon të jepet edhe viç, jo vetëm mëshqerrë, e cila ka mbushur dy vjet. Disa të tjerë thonë që është detyrim dhënia si zekat e një mëshqerre femër vetëm, dhe në rast se janë të tërë meshkuj, me konsensus lejohet të jepet viç sipas kriterit të moshës së lartpërmendur.

[102] Në bagëtitë e imëta përfshihen dhentë e dhitë.

[103] Në lidhje me temat që përmendëm më sipër, po citojmë disa pika që i ka shtjelluar Ebu Bekër Xhabir El Xhezairi në librin e tij “Minhaxh El Muslim” fq. 255. (Shënim i redaktorit).

– Pjesa më e madhe e dijetarëve kanë vënë si kusht edhe kullotën e bagëtive. Pra, të kullosin më tepër se një vit në kullotat e hapura të shkretëtirës apo gjetkë, ndërsa imam Maliku nuk e ka bërë këtë kusht për detyrimin e zekatit. Argument për pjesën më të madhe të dijetarëve është thënia e Profetit (a.s.): “Bagëtitë e kullotës nëse janë 40 deri 120, nxirret për zekat një prej tyre”. Ky grup dijetarësh ka nxjerrë nga ky hadith argumentin për kushtin e kullotës në nxjerrjen e zekatit të bagëtive. Pra, për bagëtitë është ky tekst hadithi, ndërsa për lopët dhe devetë aplikohet barazvlerësimi. Kullota duhet të merret parasysh, se në mungesë të saj ka vështirësi në rritjen e këtyre gjedhëve.

– Nuk ka zekat për bagëtitë për numrin e ndërmjetëm 40-120. Detyrë është të nxjerrësh një për 40 deri në 120. Nëse shtohet numri qoftë edhe një i vetëm, pra 121, atëherë duhen nxjerrë dy dele. Po kështu, nuk ka zekat për numrat e ndërmjetëm të lopëve dhe deveve. Kjo, për faktin se Profeti (a.s.) ka përmendur se, nëse arrin këtë numër ke kaq si detyrim për zekat e me radhë.

-Lejohet që gjatë nxjerrjes së zekatit të nxirret dhia në vend të deles, duke qenë nga e njëjta gjini. Po ashtu, lejohet të veprohet me lopën dhe buallicën.

-Nuk pranohen për zekat bagëtitë e vogla, viçat e njomë dhe as deveja që nuk ka mbushur vitin. Umeri (r.a.) i ka thënë mbledhësit të zekatit: “Kthejua atyre bagëtitë e vogla dhe mos ua merr!”

– Nuk merren për zekat bagëtitë dhe gjedhët plaka dhe as ato që kanë ndonjë mangësi, gjë e cila e ul vlerën e tyre. Ebu Bekri (r.a.) ka thënë se: “Nuk merren për sadaka bagëtitë e vjetra, ato që janë me mangësi dhe cjeptë”.

[104] Bëhet fjalë për numrin që varion ndërmjet dy numrave, për të cilët jepet zekat sipas rastit. –Shënim i redaktorit.

[105] Hadith Sahih. “El Irva” 792. E ka nxjerrë Ebu daudi 1567, Nesai 2447, Tirmidhiu 621, Ibën Maxheh 1798, Darakutni 209, Bejhakiu 4/86, Ahmedi 1/11-12.

[106] Hadith Hasen Sahih. Nesai 2453.

[107] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[108] Që u kanë rënë dhëmbët.

[109] Qorre nga një sy.

[110] Pjesë e hadithit të saktë të përmendur më sipër.

[111] Maliku 2/286.

[112] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1046, “Et Targib” 750, “Sahihul Xhami” 3041. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1574, Taberani në “Es Sagir” f.115, Bejhakiu 4/95.

[113] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[114] Buhariu 2371, 2860, Muslimi 2287, Nesai 3565, Ahmedi 2/262, 383, 423, 424.

[115] Bëhet fjalë për Profetin (a.s.) dhe Ebu Bekrin (r.a.).

[116] Mexhmea ez Zevaid 3/69.

[117] Maliku 1/277, Bejhakiu 4/118.

[118] Maliku 1/265.

[119] Sepse ajo konsiderohet prej bagëtive më të mira.

[120] Hadith Hasen Sahih. Ebu Daudi 1579, Nesai 2457, Ibën Maxheh 1409, Ahmedi 4/315.

[121] Buhariu 1450, Nesai 2455, Ibën Maxheh 1801, 1805, Darimi 1/383, Ahmedi 2/15.

[122] Hatabi thotë: “Kuptimi i hadithit është që nëse dy ortakë kanë 40 krerë bagëti, për secilin nga 20, mbledhësi i zekatit merr nga njëri prej tyre një dele, dhe ortakut nga bagëtia e të cilit u morr zekati i totalit, i kthehet vlera e gjysmës së deles nga ortaku tjetër”.

[123] Sendet e groposura ose të fshehura në periudhën e injrancës, njiheshin si të tilla për shkak të shenjave dalluese si emrat apo gdhendjet mbi to, quhen (kenz) thesare, ndërsa ata që datojnë ndonjë periudhë të Islamit ose nuk përcaktohet saktësisht se kujt periudhe i përkasin, asaj të injorancës apo së islamit, quhen gjetjeje fatlume (lukata) dhe jo thesare.

[124] Buhariu 6912, Muslimi 4440, Nesai 2495, Tirmidhiu 642,1377, Ibën Maxheh 2673,2676, Ahmedi 2/228, 475.

[125] Në rast se malli apo thesari gjendet në vende të banuara dhe gjetja është bërë e njohur, mirëpo pronari nuk gjendet brenda një viti, atëherë mallin e mban për vete ai që e gjen, nëse është i varfër. Nëse personi që e ka gjetur është i pasur, ai duhet ta shpërndajë atë si sadaka për nevojtarët. (Shënim i redaktorit. Marrë nga libri origjinal në gjuhën arabe. Vëll. I-rë. Fq.256).

[126] Hadith Hasen. “El Mishkat” 3036, “Sahihul Xhami” 5658. E ka nxjerrë Nesai 2494, Ebu Daudi 1710 me shprehje të përafërt.

[127] Ether Daif. “El Irva” 851. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/157 dhe Seid ibën Mensur.

[128] Ether Daif. “El Irva” 812. E ka nxjerrë Ebu Ubejd 342 / 874.

[129] Hadith Daif. “Ed Daife” 3544, “Daiful Xhami” 2816. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1599, Ibën Maxheh 1814, Bejhakiu 4/112, el Hakim 1/388.

[130] Transmetim Daif. “Tamamul Mineh” 379. E ka përmendur Buhariu në formën Mualak, “Kapitulli i Zekatit”, tema “Borxhi në Zekat”.

[131] Hadith Daif. “Ed Daife” 1320, “El Irva” 859, “El Mishkat” 1835. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1630, Darakutni 218-219, Bejhakiu 4/173-174, Taberani në “El Kebir” 5/302.

[132] Buhariu 1476 me shprehje të përafërt, Muslimi 2390.

[133] Pjesë nga hadithi i saktë i Muadhit.

[134] Buhariu 4539, Muslimi 2391, Nesai 2570.

[135] Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[136] Ether Daif. “Tahrixh Mushkiletil Fakr”, nr. 83, f. 47.

[137] Muslimi 2401, Ebu Daudi 1640, Nesai 2580, Ahmedi 5/60 me shprehje të përafërt, Darimi 1/396.

[138] Hadith Sahih. “El Irva” 876. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1633, Nesai 2598, Ibën Ebi Shejbe 4/56-57, Ebu Ubejd 1725, Tahaviu 1/303,304, Darakutni 211, Bejhakiu 7/14, Ahmedi 4/224.

[139] Hadith Sahih. “El Irva” 877. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1634, Tirmidhiu 652, Darimi 1/386, Ibën Ebi Shejbe 4/56, Ebu Ubejd 1726, Tahaviu 1/303, el Hakim 1/407, Daraktuni 211, Bejhakiu 7/13, Ebu Daud et Tajalisi 1/177.

[140] Muslimi 2478, Ebu Daudi 2985, Nesai 2608, Ahmedi 4/166.

[141] Hadith Sahih. “El Irva” 870. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1635, Ibën Maxheh 1841, Ibën Xharudi 365, el Hakim 1/407, Bejhakiu 7/15, Ahmedi 3/56.

[142] Buhariu 7164, Muslimi 2402, Nesai 2608,2609, Ahmedi 1/17,21, 2/99.

[143] Hadith Sahih. “El Mishkat” 3751. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2945, Ahmedi 4/229.

[144] Muslimi 5976.

[145] Muslimi 2440.

[146] Muslimi 5974, Ahmedi 3/108, 175, 259, 284.

[147] Gjithashtu edhe Maliku, Ahmedi dhe Shafiu në një transmetim.

[148] Hadith Sahih. “El Mishkat” 3384, “Et Targib” 1898. E ka nxjerrë Ahmedi 4/299, Darakutni 2/135, Bejhakiu 10/273.

[149] Hadith Hasen. “Gajetul Meram” 210, “El Mishkat” 3089. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1655, Nesai 3218, Ibën Maxheh 2518, Ahmedi 2/251, 437, Bejhakiu 7/78.

[150] Hadith Daif. “El Irva” 867, “Et Targib” 834. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1641, Tirmidhiu 653, Ibën Maxheh 2198, Ahmedi 3/114, 126-127.

[151] Pra, merrni tani çfarë i gjendet, porse nuk keni të drejtë ta burgosni përderisa është në vështirësi ekonomike dhe gjithashtu kjo nuk nënkupton fshirjen e pjesës së borxhit të mbetur.

[152] Muslimi 3958, Ebu Daudi 3469, Tirmidhiu 655, Nesai 4530, 4678.

[153] Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[154] Hadith Sahih. U përmend më sipër.

[155] Hadith Daif. U përmend më sipër.

[156] Buhariu 2620, 3183, 5978, 5979, Muslimi 2321,2322, Ebu Daudi 1668, Ahmedi 6/344, 347.

[157] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[158] Buhariu 1491, 3072, Muslimi 2470, Darimi 1/386, 387, Ahmedi 2/409, 444, 476.

[159] Buhariu 3140 me shprehje tjetër, Ebu Daudi 2980.

[160] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1613, “El Irva” 880, “Sahihul Xhami” 1663. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1650, Tirmidhiu 657, Nesai 2612, el Hakim 1/404, Ahmedi 6/10, 390.

[161] Ky është mendimi më i saktë.

[162] Ibën Tejmije lejon dhënien e zekatit prindërve, nëse nuk ka mundësi t’i mbështesë ata drejtpërdrejtë nga pasuria personale dhe që të dy prindërit kanë nevojë për ndihmë.

[163] Sepse debitori është i vdekur, dhe nuk mund t’i jepet zekati atij. Nëse i jepet kreditorit nga zekati borxhi i debitorit, është sikur t’i jepet kreditorit drejtpërdrejtë. Prandaj nuk lejohen të shlyhen borxhet e të vdekurit me zekat.

[164] Nuk ka transmetime për këto, dhe ndoshta janë marrë nga autorët e librave të ndryshëm të fikhut, të cilët nuk i verifikojnë transmetimet që përmendin. “Tamamul Mineh” 382.

[165] Ether Sahih. “El Irva” 789, 850. Maliku 1/253, Shafiu 1/237, Bejhakiu 4/148, Ibën Ebi Shejbe 4/48.

[166] Hadith Daif. Është përmendur në fillim të kapitullit të Zekatit. “Tamamul Mineh” 384.

[167] Buhariu 3603, 7052, Muslimi 4752, Tirmidhiu 2190, Ahmedi 1/384, 386-387.

[168] Muslimi 4759, Tirmidhiu 2199.

[169] Hadith Daif. “Et Targib” 1831. E ka nxjerrë Ahmedi 3/55.

[170] Buhariu 2971, 3002, Muslimi 4143, Ebu Daudi 1593, Nesai 2617, Tirmidhiu 668, Maliku 1/282, Ahmedi 2/7,55,103.

[171] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[172] Buhariu 1462.

[173] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1939, “Et Tealik er Ragib” 2/32. E ka nxjerrë Nesai 2582, Tirmidhiu 658, Ibën Maxheh 1844, Darimi 1/397, Ahmedi 4/17, 18, 214.

[174] Muttefekun aleji. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[175] Transmetim Daif. “Tamamul Mineh” 384. E ka nxjerrë Tirmidhiu 649, Bejhakiu 7/9.

[176] Hadith Sahih. “Sahihu Ebi Daud” 1437. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1625, Ibën Maxheh 1811.

[177] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 385.

[178] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 385. E ka nxjerrë Ebu Ubejdi në librin “El Emual”, nr. 1911.

[179] Buhariu 1422, Darimi 1/385, Ahmedi 3/470.

[180] Buhariu 1421, Muslimi 2359, Nesai 2523.

[181] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[182] Buhariu 660, 1423, 6479, Muslimi 2377, Tirmidhiu 2391, Nesai 5380, Maliku 2/952, Ahmedi 2/439.

[183] Njësi matëse që është përafërsisht 3 kg.

[184] Buhariu 1504, Muslimi 2275, Ebu Daudi 1611, Nesai 2503, Tirmidhiu 676, Ibën Maxheh 1826, Darimi 1/392, Maliku 1/284, Ahmedi 2/102,137.

[185] Hadith Hasen. “El Irva” 843. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1609, Ibën Maxheh 1827, Darakutni 2/138, el Hakim 1/409, Bejhakiu 4/163.

[186] Ky është mendimi i tre medh’hebeve maliki, shafi’ dhe hanbeli. Sheukani thotë: “Ky është mendimi më i saktë”. Hanefitë e kushtëzojnë me posedimin e nisabit dhënien e tij.

[187] Një Sa’ë është sa katër made.

[188] Një mad është i barabartë me 1/3 e kg.

[189] Buhariu 1506, 1508, Muslimi 2280, 2281, 2282, Ebu Daudi 1616, Nesai 2513, Tirmidhiu 673, Ibën maxheh 1829, Darimi 1/392.

[190] Buhariu 1509, Muslimi 2285, 2286, Ebu Daudi 1610, Nesai 2520, Tirmidhiu 677.

[191] Kjo gjendet në transmetimin e Ebu Daudit 1610.

[192] U përmend më sipër.

[193] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 388. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/175.

[194] Dhimij quhet një njeri i lirë jomusliman që jeton në shtetin islam.

[195] Hadith Daif. “Tahrixh Mushkiletil Fakr” 103, “El Mishkat” 1/597. E ka nxjerrë Tirmidhiu 659,660, Ibën maxheh 1789, Darakutni 2/125, Bejhakiu 4/84.

[196] Këtu nuk bëhet fjalë për zekatin e detyrueshëm.

[197] Buhariu 6013, 7376, Muslimi 5984, Tirmidhiu 1922, 2381, Ahmedi 4/358, 360-362, 365, 366.

[198] Buhariu 602, Ahmedi 4/134.

[199] Buhariu 2442, 6951, Muslimi 6521, Ebu Daudi 4893, Tirmidhiu 1426, Ahmedi 2/91.

[200] Muslimi 4492, Ebu Daudi 1663, Ahmedi 2/91.

[201] Buhariu 5373, 5649, Darimi 2/223, Ahmedi 4/394, 406.

[202] Është përmendur në fillim të kapitullit si fjalë e Pejgamberit a.s.

[203] Shpagimi është që të vritet dhe ai.