NAMAZI I XHUMASË


Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


 

Vlerat e ditës së xhuma

Xhumaja (e premtja) është dita më e mirë e javës.

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është e premtja. (Të premten) u krijua Ademi, në atë ditë ai hyri në xhenet dhe po atë ditë ai doli nga xheneti. Edhe Ora (Dita e Kijametit) do të ndodhë të premten”.[922] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu i cili e quan sahih.

Ebu Lubaneh El Bedri transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Më kryesorja e të gjitha ditëve (prijësja e ditëve) është ditë e xhuma. Ajo është dita më e madhe tek Allahu. Ajo është më e nderuar tek Allahu sesa dita e Fitrit apo dita e Kurbanit. Ajo ka pesë vlera të rëndësishme: Allahu e krijoi Ademin në këtë ditë; në këtë ditë Allahu e zbriti Ademin në tokë; në këtë ditë Allahu ia solli vdekjen Ademit, në këtë ditë është një kohë gjatë së cilës, nëse dikush e lut Allahun për ndonjë gjë në të, Allahu do t’ia japë përveçse nëse ai kërkon diçka që është e ndaluar; dhe në këtë ditë do të ndodhë Kijameti. Nuk ka engjëll që është afër Allahut, qiellit, tokës, erës, malit apo detit, të mos jetë i shqetësuar për ditën e xhuma”.[923] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe. El Iraki thotë se zinxhiri i këtij hadithi është hasen.

Lutjet në ditën e xhuma

Njeriu duhet të përpiqet që të lutet sa më shumë ditën e premte, sidomos në momentet e fundit të saj. Abdullah ibën Selami transmeton: “Ndërkohë që i Dërguari i Allahut ishte ulur, unë thashë: “Ne gjejmë në Librin e Allahut se të premten është një orë në të cilën nëse një besimtar i lutet Allahut për diçka, lutja e tij pranohet dhe atij do t’i jepet çdo gjë për të cilën lutet”. I Dërguari i Allahut më vështroi dhe pastaj ndërhyri: “Ose një pjesë e një ore”. Unë e pyeta: “Ç’orë është ajo?” Ai u përgjigj: “Ora e fundit e ditës”. Unë pastaj e pyeta: “A nuk është ajo kohë për namaz?” Ai u përgjigj: “Pa dyshim (që është); nëse një besimtar fal namaz dhe pastaj ulet, ai nuk do të ulet, përveçse për shkak të namazit dhe ai do të jetë në namaz”.[924] Transmeton Ibën Maxhe.

Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra transmetojnë se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Të Xhumanë është një orë që nëse një besimtar gjatë saj i kërkon Allahut një të mirë, Ai do t’ia dhurojë atij. Ajo kohë është pas namazit të iqindisë”.[925] Transmeton Ahmedi. El Iraki e quan këtë hadith sahih.

Xhabiri transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Dita e xhuma ka dymbëdhjetë orë dhe në njërën prej këtyre orëve nëse një rob i Allahut i lutet për diçka Atij, Ai me siguri do t’i përgjigjet lutjes së tij. Kërkojeni atë në orën e fundit pas namazit të iqindisë”.[926] Transmeton Nesaiu, Ebu Daudi dhe Hakimi në “El-Mustedrak”. Ky i fundit e quan atë sahih sipas kritereve të Muslimit. Ibën Haxheri thotë se zinxhiri i këtij hadithi është hasen.

Ebu Seleme ibën Abdurrahmani transmeton se disa nga shokët e Profetit (a.s.) u mblodhën dhe përmendën “Orën e Xhumasë”. Ata u larguan dhe nuk kishin mendime të ndryshme për atë që ajo orë është në orën e fundit të së xhumasë.” Transmeton Seid ibën Mensuri në Sunenin e tij dhe Hafidh ibën Haxheri e quan atë sahih.

Ahmed ibën Hanbeli thotë: “Shumica e haditheve që flasin për orën në të cilën lutjet janë gjithmonë të pranuara, përmendin se ajo kohë është pas namazit të iqindisë ndërsa disa të tjerë thonë se ajo është pasi dielli kalon meridianin.”

Muslimi dhe Ebu Daudi kanë transmetuar nga Ebu Musa, i cili ka dëgjuar Profetin (a.s.) një ditë të premte të thotë në lidhje me orën në të cilën pranohen lutjet: “Ajo është mes kohës që imami ulet në minber dhe derisa të përfundojë namazi”.[927]

Prapëseprapë, ky hadith i veçantë është i mangët pasi zinxhiri i tij është i këputur dhe ai është mudtarib (jo i qartë).

Pëlqehet që të dërgohen sa më shumë salavate për Profetin (a.s.) gjatë natës dhe ditës së xhuma

Aus ibën Ausi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita më e virtytshme e ditëve tuaja është dita e Xhuma. Në atë ditë u krijua Ademi dhe në atë ditë ai vdiq, (në atë ditë) do t’i fryhet surit dhe njerëzit do të ngrihen nga varret! Shtojini salavatet për mua, pasi salavatet për mua do të prezantohen para meje”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si do të prezantohen ty salavatet tona kur ti do të jesh tretur?”. Ai tha: “Allahu ia ka ndaluar tokës të tresë trupat e profetëve”.[928] Transmetojnë “të pestët” përveç Tirmidhiut.

Ibën El Kajimi thotë se është e pëlqyeshme që ditën dhe natën e xhuma të lutesh për të mirat e Allahut ndaj Profetit (a.s.), pasi ai ka thënë: “Lutuni për mua gjatë ditës dhe natës së Xhuma”.[929]

I Dërguari i Allahut është prijësi i njerëzimit dhe dita e xhuma është dita më e mirë e javës. Lutja për të gjatë asaj dite është një mirësi që i takon atij dhe askujt tjetër. Kjo vepër gjithashtu përmban një urtësi tjetër brenda saj, që është se çdo e mirë që i ka ardhur këtij umeti (musliman) në këtë jetë dhe në jetën tjetër ka ardhur nëpërmjet tij. Allahu i Lartësuar i ka mbledhur të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër për këtë umet dhe nderi dhe suksesi më i madh do t’u jepet atyre në ditën e Xhuma. Në atë ditë atyre do t’u jepen shtëpitë dhe pallatet e tyre në xhenet dhe ajo është dita kur do t’u jepet më shumë kur të hyjnë në xhenet. Ajo është një ditë feste për ta në këtë botë. Ajo është gjithashtu dita në të cilën Allahu i Lartësuar i plotëson nevojat e tyre dhe u përgjigjet lutjeve të tyre dhe kërkesave të kësaj bote. Ata janë të vetëdijshëm për të gjitha këto dhe kanë mundësi t’i përfitojnë ato në saje të Profetit (a.s.) dhe nëpërmjet tij ata u pajisën me mësime të tilla. Kështu që në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për këto të mira që na janë dhënë ne duhet të bëjmë shumë salavate për të gjatë ditës dhe natës së Xhuma.

Këndimi i sures Kehf

Është e pëlqyeshme të lexosh suren Kehf gjatë ditës dhe natës së Xhuma.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush lexon suren Kehf të Xhumanë do t’i jepet ndriçim prej drite nga e xhumaja në xhumanë tjetër”.[930] Transmeton Nesaiu, Bejhakiu dhe Hakimi.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që këndon suren Kehf të Xhumanë, ai do të mbushet me dritë që do të ngrihet nga fundi i këmbës deri tek kupa e qiellit. Ajo do të jetë dritë për të në Ditën e Ringjalljes dhe do t’i falet çdo gjë nga e xhumaja në xhumanë tjetër”.[931] Ky hadith transmetohet nga Ibën Merduija me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Është e papëlqyeshme që të ngrihet zëri gjatë këndimit të sures Kehf në xhami. Shejh Muhamed Abdu ka dhënë një mendim në të cilin përmend se këndimi i sures Kehf me zë të lartë, mes shumë të tjerash, është një ndër gjërat më të papëlqyeshme të Ditës së Xhuma. Ai gjithashtu përmendi edhe fjalët e mëposhtme: “Veçimi i ditës së xhuma si ditë agjërimi, veçimi i natës së saj si natë për të falur namaz nate, këndimi i sures Kehf gjatë me atë lloj melodie që i shqetëson ata që falin namaz, ndërsa njerëzit në xhami nuk dëgjojnë sepse janë të zënë me bisedat e tyre. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm nga një këndim i tillë dhe në këtë formë të ndaluar”.

Pastrimi, zbukurimi i vetes, përdorimi i misvakut dhe parfumit për çdo takim, e në mënyrë të veçantë për namazin e xhumasë

Është e pëlqyeshme që çdokush, burrë apo grua, i ri apo i moshuar, udhëtar apo vendas, që dëshiron të marrë pjesë në namazin e xhumasë apo në ndonjë takim me njerëz, të pastrohet dhe të veshë rrobat më të mira. Personi që shkon në xhami ditën e xhuma duhet të marrë gusul, të veshë rrobat më të mira, të lyhet me parfum dhe të lajë dhëmbët. Hadithet e mëposhtme flasin rreth kësaj çështjeje.

Ebu Seidi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo musliman duhet të

pastrohet ditën e xhuma dhe të veshë rrobat më të mira dhe nëse ka parfum ai duhet ta përdorë atë”.[932] Transmetojnë Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Selami transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë, ndërkohë që ishte në minber ditën e xhuma: “Nuk do të ishte e vështirë për një njeri prej jush nëse do të blinte dy rrobe për ditën e xhuma në vend që të përdorte rrobat e tij të punës”.[933] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Selman El Farisi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes njerëzve (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja në xhumanë tjetër”.[934] Transmetojnë Ahmedi dhe Buhariu, ndërsa Ebu Hurejra thotë në një version tjetër: “Dhe për tri ditë të tjera shtesë, ngase Allahu i dhjetëfishon çdo të mirë”.

Mëkatet e përmendura në këtë hadith janë mëkate të vogla, ashtu siç ka transmetuar Ibën Maxhe nga Ebu Hurejra fjalët e mëposhtme: “Për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha”.

Ahmedi transmeton me një zinxhir sahih se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çdo musliman është e detyrueshme që të pastrohet, të lyhet me parfum dhe të përdorë misvak në ditën e xhuma”.[935]

Ebu Hurejra transmeton se një të premte Profeti (a.s.) tha: “O bashkësia e muslimanëve! Allahu e ka bërë këtë ditë një bajram për ju, kështu që pastrohuni dhe përdoreni misvakun”.[936] Transmeton Taberaniu në “El Ausat” dhe “El Kebir” me një zinxhir transmetuesish të besueshëm.

Shkuarja herët për namazin e xhumasë

Është e pëlqyeshme që një person të shkojë herët në namazin e xhumasë nëse nuk është imam. Alkama thotë: “Unë shkova me Abdullah ibën Mesudin në xhami dhe pamë që tri vetë kishin ardhur para nesh. Ai tha: I katërti i të katërve nuk është larg nga Allahu (në shpërblim). Pastaj tha se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Njerëzit do të ulen në Ditën e Ringjalljes sipas radhës që ata kanë ardhur në namazin e xhumasë; në fillim i pari, pastaj i dyti, i treti e më pas i katërti. I katërti i të katërve nuk është larg nga Allahu”.[937] Transmeton Ibën Maxhe dhe El Mundhiri.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që pastrohet në ditën e xhuma ashtu siç lahet për shkak të papastërtisë seksuale dhe më pas shkon në xhami, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një deve. Nëse shkon në orën e dytë do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një lopë. Nëse shkon në orën e tretë, sikur të ketë bërë kurban një dash me brirë. Nëse shkon në orën e katërt do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një pulë. Dhe nëse shkon në orën e pestë, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban (diçka të ngjashme) me vezën. Kur vjen imami, engjëjt mblidhen dhe dëgjojnë hytben”.[938] Transmeton “Grupi”, përveç Ibën Maxhes.

Kalimi mbi qafat e të tjerëve në xhami

Tirmidhiu transmeton se dijetarët nuk pëlqejnë që dikush të kalojë mbi qafat e të tjerëve të xhumanë dhe në lidhje me këtë ata nuk lëshojnë pe. Abdullah ibën Busr thotë: “Një njeri erdhi dhe po kalonte mbi qafat e të tjerëve, ndërkohë që Profeti (a.s.) po mbante hytben e xhumasë. Ai iu drejtua atij dhe i tha: “Ti ke dëmtuar njerëzit dhe ke ardhur vonë”.[939] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ahmedi dhe Ibën Huzejme dhe të tjerët e quajnë sahih.

Ky rregull nuk vlen për imamin apo për atë që gjen ndonjë vend bosh dhe nuk mund të mbërrijë atje, përveçse duke kaluar mbi njerëzit. Nëse dëshiron të kthehet te vendi i tij pasi e ka lënë atë për shkak të ndonjë nevoje, ai mund ta bëjë këtë vetëm nëse nuk i dëmton njerëzit. Ukbe ibën El Harithi tregon: “Unë e fala namazin e iqindisë në Medine pas Profetit (a.s.) dhe pastaj ai u ngrit dhe nxitoi duke kaluar mbi njerëz për të shkuar në shtëpitë e disa prej grave të tij. Njerëzit u frikësuan tek ai po nxitonte në atë mënyrë. Kur ai u kthye dhe i gjeti njerëzit të çuditur që i la me kaq nxitim, tha: “M’u kujtua që një pjesë ari ishte në pronësinë time dhe nuk doja që ai të mbetej tek unë dhe kështu dhashë urdhër që të shpërndahej”.[940] Transmeton Buhariu dhe Nesaiu.

Nafilet para namazit të xhumasë

Është sunet të falësh namaze nafile derisa të mbërrijë imami. Pasi imami ka mbërritur nuk duhet që të falet më namaz, përveç namazit me rastin e hyrjes në xhami (tehijetul mesxhid), i cili mund të falet shpejt gjatë hytbes. Nëse dikush vjen në fund të hytbes (d.m.th para se të fillojë namazi) dhe nuk ka kohë, atëherë namazi me rastin e hyrjes në xhami nuk falet.

Ibën Umeri (r.a.) falte namaz të gjatë para xhumasë dhe pas xhumasë falte dy rekate të tjera dhe ai tha se Profeti (a.s.) vepronte kështu.[941] Këtë e transmeton Ebu Daudi.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që pastrohet në ditën e xhuma dhe pastaj shkon në xhami dhe falet ashtu siç është urdhëruar dhe hesht gjatë kohës që imami mban hytben e më pas falet me imamin, atij do t’i falet çka mes asaj xhumaje dhe tjetrës dhe tri ditë të tjera shtesë”.[942] Transmeton Muslimi.

Xhabiri transmeton se një njeri erdhi në xhami ditën e xhuma në kohën që Profeti (a.s.) po mbante hytben. Profeti (a.s.) e pyeti atë: “A u fale?” Burri u përgjigj: “Jo”. Ai i tha atij: “Fal dy rekate!”[943] Transmeton “Grupi”.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse dikush nga ju vjen në xhami ditën e xhuma dhe imami po mban hytben, ai duhet të falë dy rekate dhe t’i falë ato lehtë (shkurt)”.[944] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse dikush prej jush vjen në xhami ditën e xhuma dhe imami ka dalë për të mbajtur hytben, atëherë ai duhet të falë dy rekate”.[945] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Nëse ndihesh i përgjumur në xhami

Nëse dikush ndihet i përgjumur në xhami, është e pëlqyeshme që ai të ndërrojë vend. Lëvizja mund t’ia largojë disi përgjumjen dhe ta ndihmojë të zgjohet. Ky rregull vlen si për të premten ashtu edhe për ditët e tjera.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush prej jush ndihet i përgjumur në xhami, ai duhet të lëvizë nga vendi i tij në një vend tjetër”.[946] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Tirmidhiu i cili e quan këtë hadith sahih.

 

Namazi i xhumasë si detyrim

Dijetarët janë të një mendimi se namazi i xhumasë është detyrim individual dhe përbëhet prej dy rekatesh. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نُودِي لِلصَّلاَةِ مِنْ يَوْمِ الْجُمُعَةِ فَاسْعَوْا إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ وَذَرُوا الْبَيْعَ

“O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për namazin e xhumasë, nxitoni në përkujtim të Allahut dhe ndërpriteni shitblerjen”. (El-Xhumua, 9)

Natyra obliguese e namazit të xhumasë shihet qartë edhe në hadithin që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ne jemi të fundit (që kemi ardhur), por të parët në Ditën e Ringjalljes, megjithësë atyre u erdhën librat para nesh[947] dhe neve pas atyre. Kjo ditë ishte e detyrueshme për ta, por ata u përçanë në lidhje me të dhe Allahu na udhëzoi ne. Kështu që njerëzit na pasojnë neve: çifutët nesër, ndërsa të krishterët pasnesër”.[948]

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) diktoi se disa njerëz i ishin larguar namazit të xhumasë dhe tha: “Po mendoja të urdhëroja dikë t’i printe njerëzit në namaz dhe pastaj të shkoja dhe t’i digjja shtëpitë e atyre që  nuk vijnë në namazin e të xhumasë”.[949] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Ebu Hurejra dhe Ibën Umeri kanë transmetuar se kishin dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Ata që nuk vijnë në namazin e xhumasë do të përfundojnë me lënien e xhumasë dhe Allahu do t’i vulosë zemrat e tyre dhe do të konsiderohen si të pakujdesshëm”.[950] Transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Nesaiu nga Ibën Umeri dhe Ibën Abasi.

Ebu El Xhad Ed-Dameri, njëri prej sahabëve, transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që humb tri namaze xhumaje nga neglizhenca, Allahu do t’i vërë një vulë në zemrën e tij”.[951] Transmetojnë “të pestët”, ndërsa Ahmedi dhe Ibën Maxhe kanë diçka të ngjashme me Xhabirin. Ibën Es-Sekeni e ka quajtur këtë hadith të vërtetë.

 

Për kë është i detyrueshëm namazi i xhumasë?

Namazi i xhumasë është i detyrueshëm për çdo person të lirë, të rritur, të shëndoshë dhe musliman vendas që ka mundësi të shkojë në namazin e xhumasë dhe që nuk ka ndonjë arsye të vlefshme ta humbë atë.

Namazi i xhumasë nuk është i detyrueshëm për personat e mëposhtëm:

  • Gratë dhe fëmijët. Përsa i përket këtyre dy grupeve nuk ka ndryshime mendimet e dijetarëve.
  • Personi që është i sëmurë dhe has vështirësi nëse shkon në xhami ose që

frikësohet se sëmundja do t’i rëndohet duke shkuar në xhami apo do t’i vonohet shërimi. Gjithashtu kjo vlen edhe për atë person që kujdeset për një të sëmurë rëndë, nëse i sëmuri nuk mund të qëndrojë pa prezencën e dikujt që kujdeset për të.

Tarik ibën Shihabi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Namazi i xhumasë është një detyrë për çdo musliman, që ta falë me xhemat, përveç katër grupe njerëzish: robit (që nuk është i lirë), gruas, fëmijës dhe të sëmurit”.[952] Neveviu thotë se zinxhiri i tij është sahih sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit. El Hafidh thotë se këtë hadith shumë persona e kanë konsideruar të vërtetë.

  • Një udhëtar, madje edhe nëse arrin në një vend të caktuar gjatë kohës që fillon namazi, nuk e ka për detyrë faljen e tij. Kjo bazohet në faktin se Profeti (a.s.) udhëtonte dhe nuk e falte namazin e xhumasë gjatë udhëtimit dhe në haxhin e lamtumirës dita e Arafatit ishte e xhuma, por ai fali vetëm namazin e drekës bashkë me iqindinë në kohën e drekës, pa e falur xhumanë. Në mënyrë të ngjashme vepruan edhe kalifët pas tij e po ashtu edhe pasardhësit.
  • Ai që ka borxh, të cilin nuk mund ta shlyejë dhe kështu frikësohet se do ta burgosin dhe ai që frikësohet se do të keqtrajtohet nga një udhëheqës tiran. Ebu Daudi transmeton nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që dëgjon thirrjen për në namaz dhe nuk i përgjigjet asaj, për të nuk do të ketë namaz nëse nuk ka ndonjë arsye”. Njerëzit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Cila është arsye e vlefshme?” Ai u përgjigj: “Frika ose sëmundja”.[953]

(5) Faktorët kushtëzues që ndikojnë në mosmarrjen pjesë në namazin me xhemat siç është shiu, balta, i ftohti i tepërt dhe kështu me radhë. Ibën Abasi i tha muezinit në një ditë me shi: “Kur të thuash se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, mos thuaj ejani në namaz por thuaj “faluni në shtëpitë tuaja”. Njerëzit e kundërshtuan dhe ai u tha: “Një më i mirë se unë veproi kështu (Profeti (a.s.). Ai u tha njerëzve se vërtetë namazi i xhumasë është detyrim, por unë nuk pëlqeva që ju të ecni në baltë dhe llucë. Ibën Mulijhi transmeton se babai i tij kishte qenë i pranishëm në ditën e xhuma me Profetin (a.s.) kur po binte shi dhe, megjithëse ende nuk u ishin lagur këpucët e tyre, ai i urdhëroi ata të faleshin në shtëpitë e tyre.[954] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Të gjithë këta njerëz që përmendëm nuk janë të detyruar ta falin namazin e xhumasë, por e kanë për detyrë faljen e namazit të drekës. Nëse dikush prej tyre mund ta falë namazin e xhumasë, kjo është e mjaftueshme për personin dhe ai nuk është i detyruar të falë namazin e drekës.[955] Theksojmë se dhe gratë gjatë kohës së Profetit (a.s.) shkonin në xhami dhe faleshin me të ditën e premte.

 

Koha e namazit të xhumasë

Shumica e sahabëve dhe e tabiinëve janë të mendimit se koha e namazit të xhumasë është si koha e namazit të drekës. Ahmedi, Buhariu, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Bejhakiu transmetojnë nga Enesi se Profeti (a.s.) e falte xhumanë kur dielli e kishte kaluar zenitin.[956]

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë se Seleme ibën El Akua ka thënë: “Ne e falnim namazin e xhumasë me Profetin (a.s.) në kohën kur dielli kishte kaluar meridianin dhe kur ne ktheheshim nga namazi, ndiqnim hijen”.[957] Buhariu thotë se koha e xhumasë është kur dielli e kalon meridianin. Transmetime të ngjashme me këtë janë përcjellë edhe nga Umeri, Aliu, Numan ibën Beshiri dhe Umer ibën Harijth. Shafiu thotë: Pejgamberi (a.s.), Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe të gjithë imamët pas tyre e falnin xhumanë kur dielli e kalonte zenitin e tij.

Dijetarët e shkollës hanbelite mendojnë se koha e namazit të xhumasë hyn që

nga fillimi i kohës së namazit të Bajramit e deri në fund të kohës së namazit të drekës. Ata e mbështesin mendimin e tyre tek Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu, të cilët kanë transmetuar nga Xhabiri se Profeti (a.s.) e falte namazin e xhumasë dhe më pas ata merrnin devetë dhe pushonin derisa dielli të kalonte zenitin e tij.[958]

Ky hadith tregon qartë se ata e falnin xhumanë para se dielli të kalonte meridianin. Gjithashtu, ata përmendin si argument edhe hadithin e Abdullah ibën Sejdan Es-Selmit, i cili ka thënë: “Unë e fala xhumanë me Ebu Bekrin, ndërkohë që hytbja dhe namazi i tij ishin para mesditës. Më vonë e fala me Umerin. Namazi dhe hytbja e tij ishin në atë kohë kur mund të thoja se ishte bërë gjysma e ditës. Më pas e fala me Othmanin e hytbja dhe namazi i tij zgjatën derisa mendoja se dielli e kishte kaluar meridianin dhe asnjëri nuk e kundërshtoi”.[959]

Transmeton Darakutni dhe Ahmedi në një transmetim të të birit të tij , Abdullahut, i cili e përmend si argument duke shtuar: “Dhe (diçka) e ngjashme me të është transmetuar nga Ibën Mesudi, Xhabiri, Seidi dhe Muavija. Ata të gjithë e falnin xhumanë para se dielli ta kalonte meridianin dhe askush nuk e kundërshtonte këtë duke qenë në konsensus.[960] Megjithatë, shumica e dijetarëve përgjigjen ndaj hadithit të Xhabirit se është për qëllim kujdesi për faljen e namazit në kohën e tij të hershme, kur dielli e ka kaluar meridianin dhe jo të presë derisa të bjerë vapa. Namazi dhe pushimi i deveve ishte menjëherë pasi dielli e kishte kaluar meridianin. Ndërsa transmetimin e Abdullah ibën Sejdanit, këta dijetarë e konsiderojnë të dobët. Ibën Haxheri shkruan rreth transmetuesit të këtij hadithi: “Ai është një ndër tabiinët e mëdhenj (d.m.th pas brezit të sahabëve) dhe drejtësia e tij është e panjohur. Ibën Adij thotë: “Ai është disi mexhhul (d.m.th që nuk njihet si një njeri i besueshëm)”. Po ashtu, në lidhje me këtë Buhariu thotë: “Transmetimi i tij nuk duhet të besohet, veçanërisht kur ai kundërshton njerëz që janë më të besueshëm se ai. Ibën Ebi Shejbe ka transmetuar nga Suvejd ibën Gafle se ky i fundit u fal me Ebu Bekrin dhe Umerin pasi dielli kishte kaluar meridianin.[961] Zinxhiri i këtij transmetimi është i fortë.

Numri i njerëzve që kërkohet për namazin e xhumasë

Nuk ka mospajtim mes dijetarëve se për vlefshmërinë e namazit të xhumasë nevojitet një xhemat. Kjo bazohet në hadithin e Tarik ibën Shihabit, i cili transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Xhumaja është detyrim për çdo musliman të falet me xhemat”.[962] Megjithatë, dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me numrin e personave që nevojiten për namazin e xhumasë. Për këtë çështje ka pesëmbëdhjetë mendime të ndryshme dhe ato janë përmendur nga Ibën Haxheri në “Fet’h El Bari”. Mendimi më i drejtë është se namazi i xhumasë është i vlefshëm nëse janë dy ose më shumë njerëz të pranishëm. Është transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dy ose më shumë formojnë xhematin”.[963]

Në lidhje me këtë Sheukani thotë: “Namazet e tjera falen me xhemat vetëm nëse janë dy vetë të pranishëm. E njëjta gjë vlen edhe për namazin e xhumasë nëse nuk ka ndonjë arsye për të qenë ndryshe. Nuk ka ndonjë argument që tregon se (sipas qëllimit të xhematit) numri i tij duhet të jetë më i madh se ai i namazeve të tjera. Abdul Haku thotë: “Nuk ka ndonjë hadith të konfirmuar që flet për numrin e njerëzve që nevojiten në namazin e xhumasë”. Të njëjtën gjë thotë edhe Sujuti: “Nuk ka ndonjë hadith të konfirmuar që përmend ndonjë numër të caktuar (për namazin e së xhumasë)”. Gjithashtu ky është edhe mendimi i Et-Taberit, Dautit, En-Nahait dhe Ibën Hazmit.

 

Vendi i faljes së namazit të xhumasë

Namazi i xhumasë është i vlefshëm dhe mund të falet në çdo xhami, qytet, fshat në ndonjë ndërtesë të një qyteti apo në çdo vend të ndonjë qyteti. Gjithashtu ai është i vlefshëm nëse falet në më shumë se një vend. Umeri u shkroi fjalët e mëposhtme njerëzve të Bahrejnit: “Faleni Xhumanë kudo që të jeni”.[964] Kjo përfshin si qytetet ashtu edhe fshatrat.

Ibën Abasi thotë: “Xhumaja e parë që është falur në Islam, pas asaj që është falur në xhaminë e Pejgamberit (a.s.) në Medine, ka qenë në Xheuai, një fshat në Bahrejn”.[965] Transmeton Buhariu dhe Ebu Daudi.

El-Lejth ibën Sad transmeton se banorët e Egjiptit dhe të rrethinave afër detit e falnin namazin e xhumasë në kohën e Umerit dhe Othmanit, sipas urdhërave të tyre. Disa nga shokët e Profetit (a.s.) e falin Xhumanë me ta. Ibën Umeri i pa njerëzit duke falur namazin e xhumasë në zonat mes Mekës dhe Medines dhe nuk e kundërshtoi veprën e tyre.[966] Transmeton Abdu Rrezaku me një zinxhir sahih.

 

Kushtet e përcaktuara nga juristët për namazin e xhumasë

Tashmë janë përmendur disa nga kushtet mbi bazën e të cilave xhumaja është e detyrueshme (d.m.th ajo është e detyrueshme për burrat, personat e lirë, për ata që nuk janë të sëmurë, për vendasit të cilët nuk kanë ndonjë arsye të vlefshme për të mos e falur xhumanë). Kjo është ajo që na mëson Suneti i Profetit (a.s.) dhe ajo për të cilën jemi përgjegjës para Allahut.

Përsa u përket kushtëzimeve të tjera që disa juristë kanë përcaktuar për namazin e xhumasë, asnjëri prej tyre nuk ka baza tek të cilat mund të referohemi, apo ndonjë argument që t’i mbështesë ato. Do të jetë e mjaftueshme që këtu të përmendim thjesht autorin “Er-Rauda En-Nadija” i cili shkruan: “Namazi i xhumasë është si namazet e tjera dhe nuk ka ndonjë gjë në të që ndryshon prej tyre, nëse për të kundërtën nuk ka ndonjë argument. Ky pohim kundërshton ata që përcaktojnë si kushte të nevojshme për namazin e xhumasë praninë e imamit të përgjithshëm të qytetit, një xhami publike si dhe një numër të caktuar njerëzish që ndjekin namazin me xhemat. Madje nuk ka asnjë argument që këto kushte janë të pëlqyeshme pa e përmendur që janë të detyrueshme, apo se mund të jenë kusht i nevojshëm për këtë namaz. Nëse dy njerëz e falin xhumanë në një vend ku nuk ka të tjerë përveç tyre, ata do të kishin bërë detyrën e tyre. Nëse ndonjë prej tyre do të mbante hytben, do të kishte vepruar sipas Sunetit, e nëse e lënë hytben atëherë kanë lënë vetëm një sunet (jo diçka që është e detyrueshme). Në qoftë se nuk do të ishte hadithi i Tarik ibën Shihabit, i cili përmend qartë se çdo musliman duhet ta falë atë me xhemat dhe fakti që Profeti (a.s.) e falte atë gjithmonë me xhemat, falja e tij individualisht si namazet e tjera do të ishte e pranueshme.

Përsa i përket thënies “nga katër njerëz deri te sundimtari i zonës” kjo nuk ka të bëjë me Profetin (a.s.) dhe as me sahabët e tij. Në fakt, ajo është një thënie e Hasan el Basriut. Përsa u përket pohimeve të shumta dhe mendimeve pseudo-juridike, në lidhje me këtë adhurim të lartë, namazin e xhumasë të cilin Allahu e ka urdhëruar njëherë në javë, si një nga shenjat e Islamit, vetëm pak vëmendje do të mjaftonte për për të treguar teprinë dhe gabimet e tyre. Një ndër këto mendime të çuditshme është se hytbja është e barabartë me dy rekate namaz dhe namazi i atij që e humb atë është i pavlefshëm. Duket se ata janë thuajse të paditur në atë që është transmetuar nga Profeti (a.s.) në një numër transmetimesh që mbështesin njëri-tjetrin se “Në rast se një person humbet rekatin e parë të xhumasë, atëherë ai duhet të falë një rekat tjetër dhe namazi i tij do të jetë i plotë”.[967]

A nuk u kanë arritur atyre hadithet që janë të vlefshëm në këtë çështje?

Disa të tjerë thonë se namazi i xhumasë nuk mund të falet nëse atje nuk ka tre njerëz me imamin, ndërsa të tjerë mendojnë se nevojiten katër njerëz, të tjerë e kufizojnë atë në shtatë. Ka të tjerë që thonë nëntë dhe të tjerë që thonë dymbëdhjetë, njëzetë, tridhjetë, madje ka edhe disa të tjerë që mendojnë dyzetë, pesëdhjetë e shtatëdhjetë dhe çdo numër që është mes atyre që janë përmendur.

Disa të tjerë thonë se duhet të jenë të pranishëm shumë njerëz pa e specifikuar numrin e tyre, ndërsa disa të tjerë thonë se namazi i xhumasë mund të falet vetëm nëse në qytet ka “një xhami publike”. Të tjerë thonë se duhet të ketë me mijëra njerëz që banojnë në zonë, ndërkohë që të tjerë mendojnë se duhet të ketë një xhami publike dhe një hamam (banjë) pulik. Po ashtu, disa mendojnë se namazi nuk është i detyrueshëm nëse nuk ka një imam të mirënjohur dhe të qëndrueshëm e nëse një imam i tillë nuk mund të gjendet ose nëse besueshmëria e tij është e dyshimtë, atëherë namazi i xhumasë nuk është as i detyrueshëm e as i ligjshëm. Asnjë nga këto pohime nuk gjendet në librin e Allahut dhe as në Sunetin e Profetit (a.s.) që të mbështesin ata që mendojnë në këtë mënyrë dhe të jenë kushte apo masa paraprake për namazin e xhumasë. Është për t’u habitur me ata njerëz që flasin pa argumente gjëra të cilat i dëgjojnë nëpër biseda dhe hadithe të trilluara, të cilat janë shumë larg nga Sheriati i pastër. Këtë e dinë të gjithë ata që kanë njohuri mbi Kuranin dhe Sunetin Kushdo që del në një përfundim të tillë të palogjikshëm duhet të refuzohet, pasi kriteri i vetëm është Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit (a.s.).

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ

“Nëse kundërshtoheni në ndonjë çështje, referojuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij” (En-Nisa, 59)

إِنَّمَا كَانَ قَوْلَ الْمُؤْمِنِينَ إِذَا دُعُوا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ لِيَحْكُمَ بَيْنَهُمْ أَنْ يَقُولُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا وَأُوْلَئِكَ هُمْ الْمُفْلِحُون”

“Kur besimtarët thirren në gjykim ndërmjet tyre tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe u bindëm”. Njerëz të tillë janë ata që kanë shpëtuar”, (En-Nur, 51)

فَلاَ وَرَبِّكَ لاَ يُؤْمِنُونَ حَتَّى يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لاَ يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Për Zotin tënd, jo! Ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty dhe të asaj që zbriti para teje) derisa të mos të zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndjejnë pakënaqësi nga gjykimi yt (derisa) të mos binden sinqerisht”. (En-Nisa, 65)

Këto ajete e të tjera të ngjashme me to janë argumenti më i qartë se nëse ka ndonjë mosmarrëveshje, besimtari duhet t’i kthehet ligjit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ligji i Allahut është Libri i Allahut dhe ligji i të Dërguarit të Allahut, pas largimit të tij është Suneti (Tradita e ndjekur prej tij) dhe asgjë tjetër përveç tij. Allahu nuk ka lejuar ndonjërin prej robërve të Tij – kushdo qoftë ai, edhe nëse arrin shkallën më të lartë të dijes – me të drejtën për të dhënë çfarëdolloj pohimi në lidhje me legjislacionin islam pa u mbështetur në Kuran dhe në rrugën e ndjekur nga Profeti (a.s.). Po ashtu, nëse një muxhtehid merr guximin të propozojë një mendim, pa e argumentuar atë bindshëm, atëherë nuk i lejohet askujt që ta pasojë atë, pavarësisht se kush është ai. Është për t’u çuditur me dijetarë të tillë, që në vend që të jenë udhërrëfyes të besimit dhe praktikës, shkrimet e tyre janë mbushur plot me gjëra të palogjikshme. Kjo nuk kufizohet vetëm në disa prej shkollave të ndryshme të jurisprudencës islame apo në zona të caktuara, apo në kohëra të ndryshme. Jo rrallë ka ndodhur që brezat e mëvonshëm kanë pasuar ata më të hershmit në gjëra të tilla sikur të ndiqnin Umul Kitabin (nënën e Librit, Fatihanë), dhe shpesh kanë pasuar dhe mësime të çorientuara. Gjëra të tilla të pafaktuara i hasim dhe në shumë prej adhurimeve tona, pa pasur argumente bindëse nga Sheriati dhe pa u bazuar në logjikën e shëndoshë.

 

Hytbja e ditës së xhuma

 

Gjykimi fetar mbi hytben (predikimin) e së premtes

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se hytbja e së premtes është e detyruar dhe këtë mendim e mbështesin në hadithin e konfirmuar në vijim, në të cilin thuhet se Profeti (a.s.) gjithmonë e mbante hytben çdo të premte. Gjithashtu, ata i referohen edhe thënies së Profetit (a.s.), ku thotë: “Faluni siç më shihni mua duke u falur” dhe ajetin kuranor:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نُودِي لِلصَّلاَةِ مِنْ يَوْمِ الْجُمُعَةِ فَاسْعَوْا إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ

“O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për namaz, atëherë nxitoni aty ku përmendet Allahu”. (El-Xhumua, 9)

Ky ajet përmban një urdhër që të nxitohet në përkujtesë, gjë e cila nënkupton se ajo është e detyrueshme. Dijetarët interpretojnë se përmendja e Allahut përfshin hytben e xhumasë. Sheukani ndalet në argumentin e parë duke thënë se hadithi thjesht përmend veprën e Profetit (a.s.) dhe nuk argumenton se një veprim i tillë është i detyrueshëm.

Për argumentin e dytë ai thotë se nuk kemi të bëjmë me më shumë se urdhërin për të falur namazin, ashtu siç e ka bërë ai, por hytbja nuk është namaz.

Përsa i përket ajetit, ai e konsideron atë thjesht si një urdhër për të qenë i pranishëm në namaz, i cili është i detyrueshëm dhe përjashton hytben. Më tej ai vazhdon se, përsa i përket argumentit të tyre në lidhje me “…nxitoni aty ku përmendet Allahu” ai thotë se kjo i referohet vetëm namazit, që është një shkak i vërtetë për të nxituar.

Megjithatë, të gjithë pajtohen me mendimin se namazi i xhumasë është i detyrueshëm, ndërsa për hytben ka mendime të ndryshme nëse është apo nuk është e tillë. Sheukani përfundon duke thënë se me sa duket qëndrimi i saktë është ai i Hasan El Basriut, Daud El Dhahirit dhe i El Xhuejnit[968] se hytbja është vetëm një vepër e rekomanduar.

 

Pëlqehet që imami t’i përshëndesë njerëzit kur hipën në minber, të drejtohet nga ata dhe më pas të bëhet ezani

Xhabiri transmeton se kur Profeti (a.s.) hipte në minber, ai përshëndeste njerëzit (me selam).[969]

Ky hadith transmetohet nga Ibën Maxhe dhe në zinxhirin e tij është Ibën Lahija dhe El Ethremi e ka regjistruar atë në sunenin e tij nga Esh-Sheabi nga Profeti (a.s.) në formë mursel.

Atau dhe të tjerë transmetojnë gjithashtu në formë mursel se kur Profeti (a.s.) ngjitej sipër në minber, ai kthehej nga njerëzit dhe thoshte: “Es-Selamu Alejkum! (Paqa qoftë mbi ju!)”[970]

Sipas Sheabiut edhe Ebu Bekri me Umerin vepronin në këtë mënyrë.

Saib ibën Jezidi thotë: “Ezani i parë për namaz në ditën e xhuma është thirrur në kohën e Profetit (a.s.), Ebu Bekrit dhe Umerit, kur imami ishte ulur në minberin e tij. Më pas në kohën e Othmanit, meqenëse kishte shumë njerëz, ai caktoi një ezan të tretë[971] jashtë xhamisë. Profeti (a.s.) kishte vetëm një muezin”.[972] Transmeton Buhariu, Nesaiu dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Në kohën e Othmanit kishte shumë njerëz, e nisur nga kjo, Othmani i urdhëroi njerëzit të bënin një thirrje të tretë për namaz në ditën e xhuma, jashtë xhamisë dhe ajo praktikë ka vazhduar”.

Ahmedi dhe Nesaiu transmetojnë se Bilali e thirrte ezanin për namaz kur Profeti (a.s.) ulej në minber, ndërsa ikametin kur Profeti (a.s.) zbriste nga minberi.[973]

Adij ibën Thabiti transmeton nga babai i tij se gjyshi i tij ka thënë: “Kur Profeti (a.s.) ngjitej në minber, kthehej me fytyrë nga shokët e tij”.[974] Transmeton Ibën Maxhe.

Në lidhje me hadithin e fundit, megjithëse ka pak dyshim në të, Tirmidhiu thotë: “Dijetarët nga sahabët dhe të tjerët veprojnë në atë mënyrë dhe ata pëlqejnë që gjatë kohës që mban hytben, imami të kthehet me fytyrë nga njerëzit”.

 

Përmbajtja e hytbes

Është e pëlqyeshme që hytbja e së premtes të përfshijë madhërimet e Allahut të Lartësuar, përshëndetjet dhe lutjet për Profetin (a.s.), këshilla për xhematin dhe lexim nga Kurani Famëlartë.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo fjalë që nuk fillon me madhërimin e Allahut është e mangët”.[975] Transmeton Ebu Daudi dhe Ahmedi në një transmetim të ngjashëm me të.

Në një version tjetër thuhet: “Hytbja e së premtes që nuk përmban shehadetin është si një dorë me të meta”.[976] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) thoshte në hapjen e tij: “Të gjitha falënderimet janë për Allahun. Ne kërkojmë ndihmë dhe falje prej Tij dhe i lutemi të na mbrojë nga e keqja e veteve tona. Atë që e udhëzon Allahu askush nuk mund ta humbë dhe atë që e humb Allahu askush nuk mund ta udhëzojë në rrugën e drejtë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, të cilin Ai e dërgoi me të vërtetën si lajmëtar para se të ndodhë Kijameti. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai do të jetë në rrugën e drejtë dhe kushdo që nuk u bindet atyre, ai do t’i bëjë dëm vetëm vetes së tij dhe Allahun nuk mund ta dëmtojë aspak”.[977]

Ibën Shihabi u pyet për hyrjen që bënte i Dërguari i Allahut në hytben e ditës së xhuma dhe ai tha diçka të ngjashme me të dhe shtoi: “Kush nuk u bindet atyre, ai e ka humbur rrugën”.[978] Të dyja këto transmetime janë përcjellë nga Ebu Daudi.

Xhabir ibën Semure thotë se i Dërguari i Allahut e mbante hytben e tij në këmbë dhe ulej në mes dy hytbeve. Ai këndonte disa ajete kuranore dhe u përkujtonte njerëzve Allahun”.[979] Transmeton “Grupi” përveç Buhariut dhe Tirmidhiut.

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) nuk jepte këshilla shumë të gjata ditën e xhuma, por mbante hytbe të shkurtëra.[980] Transmeton Ebu Daudi.

Umu Hisham bint Harith ibën Numan tregon: “Unë e mësova suren Kaf të Kuranit Famëlartë nga Profeti (a.s.), gjatë kohës që ishte në minber pasi ai e këndonte atë çdo të premte kur u drejtohej njerëzve”.[981] Transmeton Ahmedi, Muslimi, Nesaiu dhe Ebu Daudi.

Jala ibën Umeje transmeton se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut të këndojë në kohën që ishte në minber: …وَنَادَوْا يَامَالِكُ “Dhe ata thërrasin: O Malik…!”. (Ez-Zuhruf, 77)[982] Hadithin e trasnmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Maxhe transmeton nga Ubej se i Dërguari i Allahut këndonte suren Mulk të premten, ndërkohë që ishte në këmbë.[983]

Në “Er-Rauda En-Nadija” thuhet: “Dijeni mirë se hytbja e kërkuar nga pikëpamja e ligjshmërisë islame duhet të bazohet në shembullin e Profetit (a.s.) duke i këshilluar njerëzit të bëjnë sa më shumë punë të mira dhe duke i lajmëruar për pasojat e tmerrshme të veprave të këqija. Në të vërtetë ky është dhe qëllimi kryesor i hytbes që ka themeluar ligji islam. Përsa i përket përmbajtjes tjetër, si madhërimi i Allahut, përshëndetjet për Profetin (a.s.) dhe këndimi i një pjese nga Kurani, asnjëra prej tyre nuk është qëllim kryesor, por thelbi kryesor mbetet këshillimi i myslimanëve për t’i mbajtur sa më afër Zotit të Madhëruar. Ka qenë traditë e vazhdueshme e arabëve se nëse dikush dëshironte të bënte ndonjë njoftim apo t’u fliste njerëzve, ai fillonte me madhërimin e Allahut, përshëndetjet për Profetin (a.s.) dhe diçka të ngjashme me to. Megjithatë këto nuk përbëjnë qëllimin kryesor të hytbes, pasi qëllimi i saj është ajo që thuhet pas madhërimit të Allahut dhe lutjeve për Profetin (a.s.). Nëse një person mban hytben dhe e kufizon atë vetëm në madhërimin e Allahut dhe përshëndetjet për Profetin (a.s.), hytbja e tij zor se do të ishte e pranueshme. Çdo njeri me logjikë të shëndoshë e refuzon këtë. Pra, nëse hatibi i këshillon njerëzit për të bërë punë të mira dhe për t’iu larguar punëve të këqija dhe u kujton atyre frikën dhe shpresën nga Allahu, kjo do të ishte e mjaftueshme për të. Nëse ai do t’u shtonte këtyre edhe lavdërimet për Zotin dhe lutjet për të Dërguarin e Tij, pa dyshim që kjo do të ishte më e mirë dhe më e plotë.

 

Qëndrimi në këmbë gjatë dy pjesëve të hytbes dhe ulja e shkurtër në mes tyre

Për imamin është e ligjshme që të qëndrojë në këmbë gjatë dy hytbeve dhe të ulet pak në mes të tyre.

Ibën Umeri (r.a.) tregon: “Kur Profeti (a.s.) mbante hytben e xhumasë, qëndronte në këmbë dhe pastaj ulej e më pas ngrihej sërish, (për hytben e dytë), ashtu siç bëjnë njerëzit sot”.[984] Transmeton “Grupi”.

Xhabir ibën Semure ka thënë: “Profeti (a.s.) e mbante hytben në këmbë dhe pastaj ulej dhe më pas ngrihej dhe fliste përsëri. Kushdo që thotë se ai e mbante hytben ulur, ai ka gënjyer. Me të vërtetë që unë kam falur me të më shumë se dy mijë namaze (nënkupton pesë namazet e ditës)”.[985] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Ibën Ebi Shejbe transmeton se Tausi ka thënë: “Profeti (a.s.) e mbante hytben në këmbë dhe kështu vepronin edhe Ebu Bekri, Umeri dhe Othmani. I pari që e ka mbajtur hytben ulur në minber ka qenë Muavija”.

Gjithashtu, Ibën Ebi Shejbe transmeton nga Sheabi se Muavija e mbante hytben ulur kur ai u rëndua në peshë për shkak se ishte tepër i shëndoshë.[986] Disa dijetarë thonë se është e detyrueshme që hytbja të mbahet në këmbë dhe gjithashtu është e detyrueshme të ulesh mes dy hytbeve. Ata përmendin shembullin e Profetit (a.s.) dhe të sahabëve, të cilët gjithmonë vepronin në këtë mënyrë. Megjithatë, fakti që ata vazhdimisht e kryenin një vepër të tillë nuk është i mjaftueshëm të argumentojë se është farz (e detyrueshme).

 

Pëlqehet që hytbja të jetë e shkurtër, të ngrihet zëri në të dhe t’i referohet çështjes

Amar ibën Jasiri transmeton se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Zgjatja e namazit dhe shkurtimi i hytbes është shenjë e atij që e ka kuptuar fenë. Kështu që zgjateni namazin dhe shkurtojeni hytben!”[987] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Shkurtimi i hytbes dhe zgjatja e namazit është shenjë e të kuptuarit të fesë, sepse një njeri i tillë është i aftë të përmbledhë shumë gjëra në pak fjalë.

Xhabir ibën Semurah thotë: “Namazi i Profetit (a.s.) ishte i një gjatësie mesatare dhe po ashtu ishte dhe hytbja e tij”.[988] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut dhe Ebu Daudit.

Abdullah ibën Ebi Aufa transmeton: “Namazi i Profetit (a.s.) ishte i gjatë dhe hytbja e tij ishte e shkurtër”.[989] Transmeton Nesaiu me një zinxhir sahih.

Xhabiri informon: “Kur Profeti (a.s.) mbante hytben i skuqeshin sytë, e ngrinte zërin dhe zemërimi i shtohej sikur po lajmëronte ardhjen e armiqve”.[990] Transmeton Muslimi dhe Ibën Maxhe.

Neveviu thotë: “Pëlqehet që hytbja të mbahet duke përdorur një gjuhë të rrjedhshme dhe të përshtashme. Ajo duhet të jetë një fjalim i organizuar me qëllim që njerëzit ta kuptojnë dhe nuk duhet të jetë e pakuptimtë dhe me fjalë të ndyra, me qëllim që mos t’i largohet synimit të saj. Fjalët e hytbes duhet të zgjidhen me kujdes që të jenë sa më të kuptueshme dhe tërheqëse”.

Ibën Kajimi, duke dhënë pikëpamjet e tij rreth kësaj çështjeje, thotë: “Hytbja e Profetit (a.s.) përforconte bazat e themelore të besimit si: besimin në Allahun e Lartësuar, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në takimin me Të. Ai përmendte xhenetin dhe xhehenemin dhe atë që Allahu i Lartësuar u ka premtuar robërve të Tij të devotshëm dhe njerëzve që iu nënshtruan Atij. Po ashtu, ai paralajmëronte për ndëshkimin që Allahu ka përgatitur për armiqtë e Tij dhe për keqbërësit. Po të dëgjoje hytben e tij, zemra të mbushej me besimin në Allah, në njëshmërinë dhe në madhështinë e Tij. Hytbet e tij nuk ishin si fjalimet e atyre që flasin për çështjet e njerëzve të zakonshëm, që vajtojnë për jetën e kësaj bote apo që i frikësojnë njerëzit për afrimin e vdekjes. Fjalime të tilla nuk mund ta forcojnë besimin në Allah apo ta forcojnë besimin në njëshmërinë e Tij apo t’i bëjnë njerëzit të mendojnë për veprat e Tij madhështore në histori, as nuk mund t’i nxisin zemrat për dashuri për Allahun apo t’i bëjnë dëgjuesit të presin me padurim ditën, në të cilën do të takohen me Allahun e Lartësuar. Njerëzit që dëgjojnë fjalime të tilla nuk kanë asnjë lloj përfitimi, përveç faktit që ata do të vdesin, pasuria e tyre do t’u shpërndahet të tjerëve dhe trupat e tyre do të kthehen në dhé. Çfarë lloj besimi ushqejnë fjalët e tyre dhe çfarë lloj besimi dhe dije përhapin ata?

Nëse studiojmë me imtësi hytbet e Profetit (a.s.) dhe të shokëve të tij, ne i gjejmë ato të pajisura me udhëheqje të çmuar, teuhid, cilësi të Allahut, sqarim të bazave të besimit, të ftuarit e njerëzve tek Allahu dhe tërheqja e vëmendjes. Hytbet e tij i referoheshin çështjeve të Allahut duke i lajmëruar të tjerët për zemërimin e Tij dhe duke i nxitur ata të përkujtonin Allahun, ta falënderonin Atë dhe të fitonin kënaqësinë dhe dashurinë e tij.

Ata që i dëgjonin këto hytbe mbusheshin me dashuri për Allahun e Lartësuar dhe mezi prisnin takimin me Zotin e tyre. Me kalimin e kohës, shembulli i Profetit (a.s.) u harrua dhe gjëra të tjera dolën në pah. U harrua qëllimi kryesor i hytbes. Fjalët e qarta dhe të këndshme që i tundnin zemrat e tyre, u bënë të rralla në fjalime. Synimi kryesor i hytbes u la pas dore, zemrat nuk prekeshin më dhe qëllimi kryesor i hytbes humbi”.

 

Ndërprerja e hytbes nga imami për ndonjë arsye

Ebu Burejdete transmeton se i Dërguari i Allahut po mbante hytben, ndërkohë që Hasani dhe Huseini (nipërit e tij) erdhën dhe ata kishin veshur këmisha të kuqe dhe po hidheshin hopa tek po ecnin. Profeti (a.s.) zbriti nga minberi, i mora ata dhe i vendosi para vetes e pastaj tha: “Vërtetë Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë thënë të vërtetën. Me të vërtetë që pasuria dhe fëmijët tuaj janë një sprovë. Unë i pashë këta dy fëmijë tek ecnin dhe hidheshin dhe nuk mund të duroja, kështu që e ndërpreva hytben dhe shkova t’i marr ata”.[991] Transmetojnë “të pestët”.

Ebu Rifa’ate El Adevi thotë: “Unë shkova tek Profeti (a.s.) në kohën që ai po mbante hytben dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Jam një njeri i huaj dhe kam ardhur të pyes për fenë e time, pasi nuk e njoh atë”. Profeti (a.s.) u kthye nga unë, e ndërpreu hytben, iu ofrua një karrige druri me këmbë prej hekuri, erdhi tek unë dhe filloi të më mësojë atë që Allahu i kishte mësuar atij dhe pastaj shkoi për të plotësuar hytben”.[992] Transmeton Muslimi dhe Nesaiu.

Ibën El Kajimi shkruan: “Profeti (a.s.) e ndërpriste hytben për disa arsye, apo për t’iu përgjigjur ndonjë pyetjeje të ndonjërit prej shokëve të tij. Në disa raste ai zbriste nga minberi për shkak të ndonjë nevoje dhe pastaj kthehej për të plotësuar hytben, ashtu siç bëri kur mori Hasanin dhe Huseinin. Ai i mori ata dhe pastaj u kthye me ta në minber. Ndonjëherë ai e ndërpriste hytben për të komunikuar me njerëzit për t’u thënë të uleshin, të afroheshin, të faleshin etj. Në hytben e tij ai urdhëronte sipas asaj që kërkonte nevoja”.

 

Është e ndaluar të flitet gjatë hytbes

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se mbajtja e qetësisë gjatë hytbes është e detyrueshme dhe nuk duhet të këmbehen fjalë, madje as për të urdhëruar për të mirë apo për të ndaluar atë që është e keqe. Ky rregull vlen për personin që është ulur në xhami, pavarësisht nëse ai e dëgjon apo nuk e dëgjon hytben.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që flet në ditën e xhuma në kohën që imami mban hytben, ai është si një gomar që bart libra dhe ai që i thotë atij të heshtë nuk ka shpërblim për xhumanë”.[993] Transmeton Ahmedi, Ibën Ebi Shejbe, El Bezari dhe Tabaraniu. Ibën Haxheri thotë në “Bulug El Meram” se në zinxhirin e këtij hadithi nuk ka ndonjë gjë edhe aq të keqe.

Abdullah ibën Amër transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ka tri lloje personash që marrin pjesë të xhumanë: i pari, një njeri që është i pranishëm por flet (gjatë hytbes) dhe ajo është pjesa që i takon atij; i dyti, një njeri që është i pranishëm dhe bën dua – në rastin e tij Allahu do t’i japë atë që kërkon, nëse Ai dëshiron ose Ai nuk i jep atë që kërkon; i treti, një person që është i pranishëm dhe mban qetësi dhe nuk ecën mbi qafat e muslimanëve duke i shqetësuar ata- për atë ka shlyerje gjynahesh nga ajo e xhuma në tjetrën dhe tri ditë të tjera shtesë pasi Allahu ka thënë:

 

مَنْ جَاءَ بِالْحَسَنَةِ فَلَهُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا

“Kush vjen me një të mirë (në Ditën e Gjykimit) ai shpërblehet për të dhjetëfish”.(El-En’am, 160)[994]  Hadithi transmetohet nga Ahmedi dhe Ebu Daudi me një zinxhir të mirë transmetimi.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse gjatë kohës që imami mban hytben ditën e xhuma ti i flet shokut tënd të pushojë, atëherë ti ke folur diçka të pavlefshme”.[995] Transmeton “Grupi”, përveç Ibën Maxhes.

Ebu Derda thotë: “Profeti (a.s.) ishte në minber gjatë hytbes së xhumasë, po u drejtohej njerëzve dhe lexoi një ajet kuranor. Pranë meje ishte Ubej ibën Kabi dhe unë e pyeta se kur ishte shpallur ai ajet. Ai refuzoi të më fliste dhe unë sërish e pyeta dhe ai përsëri refuzoi të më kthente përgjigje. Kur Profeti (a.s.) zbriti nga minberi pasi e përfundoi predikimin, Ubej ibën Kabi më tha: “Ti nuk ke fituar asgjë nga xhumaja veç fjalëve të tua të padobishme”. Kur Profeti (a.s.) kishte mbaruar unë shkova dhe i thashë se ç’kishte ndodhur dhe ai më tha: “Ubeji ka thënë të vërtetën. Nëse e dëgjon imamin duke folur, hesht derisa ai të mbarojë”.[996] Transmeton Ahmedi dhe Tabaraniu.

Është transmetuar se Ahmedi dhe Shafiu kanë bërë një dallim përsa i përket këtij rregulli, mes atij që mund ta dëgjojë ligjëratën dhe mes atij që nuk mund ta dëgjojë atë, megjithëse heshtja është më e pëlqyer.

Tirmidhiu thotë se Ahmedi dhe Is’haku e lejojnë kthimin e selamit dhe përgjigjen gjatë teshtitjes, ndërkohë që imami është në hytbe.

Shafiu thotë: “Nëse një person teshtin gjatë hytbes dhe dikush i thotë: “Allahu të mëshiroftë” unë do të kisha dëshiruar të mos përgjigjej, pasi një përgjigje e tillë është thjesht sunet. Për mendimin tim është mekruh që një person të përshëndesë me selam në kohën që të tjerët dëgjojnë hytben, por mendoj që selami duhet të kthehet pasi vërtetë që përshëndetja me selam është sunet, por kthimi i saj është farz.

Përfshirja në ndonjë bisedë në kohën kur nuk mbahet hytbja është e lejuar. Thealebe ibën Ebi Maliku thotë: “Ditën e xhuma njerëzit flisnin, ndërkohë që Umeri ishte i ulur në minberin e tij dhe kur thirrja për namaz kishte mbaruar, Umeri ngrihej dhe askush nuk nxirrte as edhe një fjalë të vetme derisa ai t’i kishte përfunduar krejtësisht të dyja hytbet. Pasi thirrej ikameti dhe Umeri zbriste nga minberi njerëzit fillonin të flisnin”.[997] Transmeton Shafiu në Musnedin e tij.

Ahmedi tregon nëpërmjet një zinxhiri të vërtetë transmetuesish se Othman ibën Afani bisedonte me njerëzit për çështjet e tyre dhe çmimet e tregut, ndërkohë që qëndronte në minber dhe muezini bënte ikamet.

 

Mbërritja e një rekati apo diçka më pak nga namazi i xhumasë

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nëse dikush arrin vetëm një rekat të

xhumasë, ai e ka arritur atë dhe ai rekat do të jetë i vlefshëm për të. Ai duhet të plotësojë vetëm rekatin që ka humbur. Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që arrin vetëm një rekat të namazit të xhumasë dhe pastaj e plotëson tjetrin, namazi i tij është i plotë”.[998] Transmetojnë Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Darakutni.

Në “Bulug El Maram” Ibën Haxheri thotë se zinxhiri i tij është sahih, megjithëse Ebu Hatimi thotë se mendimi më i saktë është se ai është mursel.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që kap një rekat të namazit, ai ka arritur gjithë namazin”.[999] Transmeton “Grupi”.

Kushdo që arrin më pak se një rekat të xhumasë ai nuk e ka arritur xhumanë dhe duhet të falë katër rekate të namazit të drekës sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.

Ibën Mesudi thotë: “Kushdo që kap vetëm një rekat nga xhumaja duhet t’i shtojë asaj vetëm një rekat e atij që i kalojnë të dy rekatet le të falë katër (të falë namzin e drekës)”.[1000] Transmeton Tabaraniu me një zinxhir të mirë.

Ibën Umeri thotë: “Nëse dikush arrin nga namazi i xhumasë vetëm një rekat, atëherë ai duhet të shtojë edhe një rekat tjetër. Nëse arrin vetëm uljen e fundit, atëherë ai duhet të falë katër rekate”.[1001] Transmeton Bejhakiu.

Po këtë mendim ka edhe Shafiu, Maliku, shkolla hanbelite dhe Muhamed ibën El Hasani. Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi thonë se kur dikush arrin teshehudin me imamin, atëherë ai e ka arritur xhumanë. Ai duhet të falë dy rekate pasi imami jep selam dhe namazi i tij do të jetë i plotë.

 

Falja e namazit në një vend të mbingarkuar me njerëz

Ahmedi dhe Bejhakiu transmetojnë nga Sejari se Umeri (r.a.) po mbante një hytbe dhe po thoshte: “I Dërguari i Allahut e ndërtoi këtë xhami dhe ne muhaxhirët dhe ensarët ishim me të. Nëse ka shumë njerëz, ndokush prej jush mund ta bëjë sexhden në shpinën e vëllait të tij”. Kur ai pa disa njerëz duke u falur në rrugë, u tha: “Faluni në xhami”.[1002]

 

Nafilet para dhe pas namazit të xhumasë

Është sunet të falësh dy apo katër rekate pas namazit të xhumasë. Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron të falet pas xhumasë, ai duhet të falë katër rekate”.[1003] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Ibën Umeri thotë: “Profeti (a.s.) falte dy rekate në shtëpinë e tij ditën e xhuma.[1004] Transmeton “Grupi”.

Ibën Kajimi thotë: “Profeti (a.s.) kur falte namazin e xhumasë, hynte në shtëpinë e tij dhe falte dy rekate dhe urdhëronte ata që ishin falur të falnin katër rekate (pas xhumasë)”. Më tej Ibën Kajimi citon Ibën Tejmijen të ketë thënë: “Kur ai falej në xhami, falte katër rekate dhe kur falej në shtëpi falte dy rekate”. Unë them se kjo është ajo që argumenton hadithi”.

Ebu Daudi transmeton nga Ibën Umeri se kur ai falej në xhami, falte katër rekate dhe kur falej në shtëpinë e tij vetëm dy.[1005] Gjithashtu në dy sahihet është transmetuar nga Ibën Umeri se Profeti (a.s.) falte dy rekate në shtëpinë e tij pas namazit të xhumasë.[1006]

Nëse falen katër rekate, disa dijetarë thonë se ato duhen falur pa i shkëputur e disa të tjerë thonë se ato duhen falur dy e nga dy. Sidoqoftë, më mirë është që të falen në shtëpi e nëse falen në xhami, është mirë të largohesh nga vendi ku është farzi.

Përsa i përket ndonjë namazi sunet para namazit të xhumasë, Ibën Tejmije shkruan: “Profeti (a.s.) asnjëherë nuk falte namaz pas ezanit dhe para namazit të xhumasë dhe askush nuk ka transmetuar një vepër të tillë prej tij. Në kohën e Profetit (a.s.) thirrej vetëm një ezan pasi Profeti (a.s.) kishte hipur në minber. Bilali thirrte ezanin dhe pastaj Profeti (a.s.) mbante dy hytbet e tij. Më pas Bilali thërriste ikametin dhe Profeti (a.s.) i printe njerëzit në namaz. Nuk është e mundur që Profeti (a.s.) të ketë falur namaz pas ezanit apo ndonjë nga muslimanët që u falnin me Profetin (a.s.) të ketë vepruar kështu. Ne nuk kemi asnjë argument që tregon se Profeti (a.s.) të premten falej në shtëpi para së te shkonte në xhami. Ai nuk caktoi ndonjë kohë për falje para namazit të xhumasë. Ajo që tha ishte që njerëzit të shkonin herët në xhami dhe të falnin namaz. Ai ka thënë: “Kushdo që del jashtë herët, ecën në këmbë dhe jo kaluar për në xhami dhe falet ashtu siç është urdhëruar…” Kjo është transmetuar nga shokët e Profetit (a.s.). Kur ata arrinin në xhami të premten, falnin namaz aq sa mundnin. Disa prej tyre falnin dhjetë rekate, disa dymbëdhjetë, disa vetëm tetë e të tjerë edhe më pak se aq. Për këtë arsye shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka namaz sunet në një kohë të caktuar apo me një numër të caktuar rekatesh para namazit të xhumasë, pasi nuk rezulton asgjë as në veprat e as në fjalët e Profetit (a.s.) që ta mbështesë apo ta konfirmojë një gjë të tillë.

 

Të qëlluarit e namazit të xhumasë dhe të Bajramit në të njëjtën ditë

Nëse dita e Bajramit përputhet me ditën e xhuma, atëherë namazi i xhumasë nuk është detyrim për ata që kanë falur namazin e Bajramit.

Zejd ibën Erkami thotë: “Profeti (a.s.) fali namazin e Bajramit dhe pastaj bëri një lehtësim për xhumanë duke thënë: Kush dëshiron ta falë atë, mund ta falë”.[1007] Transmetojnë “të pestët” dhe Hakimi. Ibën Huzejme e quan atë sahih.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në këtë ditë janë bashkuar dy festa. Për këdo që dëshiron, kjo do të mjafojë për namazin e xhumasë, por ne do ta falim namazin e xhumasë”.[1008] Transmeton Ebu Daudi.

Është e pëlqyeshme që imami ta falë namazin e xhumasë, në mënyrë që kushdo që dëshiron ta falë atë mund të veprojë kështu, pasi mund të ketë njerëz që nuk kanë pasur mundësi ta falin namazin e Bajramit. Kjo bazohet në thënien e Pejgamberit (a.s.):“por ne do ta falim namazin e xhumasë”. Sipas shkollës hanbelite, namazi i drekës është i detyrueshëm për atë që nuk e fal xhumanë sepse ka falur namazin e Bajramit. Megjithatë, me sa duket kjo gjë nuk është e detyrueshme, pasi ekziston një hadith në Sunenin e Ebu Daudit, në të cilin Ibën Zubejri thotë: “Ndodhi që Bajrami dhe Xhumaja qëlluan në të njëjtën ditë, kështu që Profeti (a.s.) i bashkoi namazet dhe fali dy rekate në një kohë të hershme dhe nuk shtoi gjë tjetër derisa fali namazin e iqindisë”.[1009]


[922] Muslimi 1974, Tirmidhiu 488, Nesai 1373.

[923] Hadith Daif. “Ed Daife” 3726, “Et Targib” 424. E ka nxjerrë Ahmedi 3/430, Ibën Maxheh 1084.

[924] Hadith Hasen Sahih. “Et Targib” 702. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1139.

[925] Muttefekun alejhi pa shtesën e fundit (ajo kohë është pas namazit të ikindisë). Buhariu 6400, Muslimi 1967, 1970, Nesai 1431.

[926] Hadith Sahih. “Et Targib” 703, “Sahihul Xhami” 8190. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1048, Nesai 1389, El Hakim 1/279.

[927] Muslimi 1972, Ebu Daudi 1049.

[928] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1527, “El Mishkat” 1361, “Et Targib” 1674. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1047, Nesai 1374, Ibën Maxheh 1085, Darimi 1/307, Ahmedi 4/8.

[929] Hadith Hasen me rrugët e shumta të transmetimit dhe Sahih pa shprehjen “dhe natës”. “Tamamul Mineh” 324, “Es Sahiha” 1407. E ka nxjerrë Bejhakiu 3/249.

[930] Hadith Sahih. “El Irva” 3/93, “El Mishkat” 2175, “Et Targib” 736. E ka nxjerrë Bejhakiu 3/249, el Hakim 2/368.

[931] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 324, “Et Targib” 447.

[932] Buhariu 880, Muslimi 1957, Ebu Daudi 344, Nesai 1374, 1382, Ahmedi 3/30,69.

[933] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1389, “Gajetul Meram” 76. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1078, Ibën Maxheh 1095, Bejhakiu 3/242.

[934] Buhariu 883, Ahmedi 5/440.

[935] Në saje të haditheve të tilla disa dijetarë janë të mendimit se gusuli në ditën e premte është i detyrueshëm. Në një hadith në Sahihun e Muslimit, Ibën Abasi ka thënë se gusli është shfuqizuar. Allahu e di më së miri. Larja nuk është e detyrueshme për atë që nuk shkon në namazin e xhumasë. Ky mendim bazohet në një hadith që Bejhakiu e transmeton nga Ibën Umeri, në të cilin thuhet“Për çdo burrë dhe grua që vjen në namazin e xhumasë nuk është e nevojshme për të që të marrë gusël”. Transmeton Nesaiu me një zinxhir sahih.

[936] Bejhakiu 1/299, “Mexhmea ez Zevaid” 2/176.

[937] Hadith Daif. “Ed Daife” 2810, “Et Targib” 436, “Dhilalul Xheneh” 620. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1094.

[938] Buhariu 881, Muslimi 1961, Ebu Daudi 351, Tirmidhiu 499, Nesai 1387.

[939] Hadith Sahih. “Et Targib” 714. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1118, Nesai 1399, Ibën Maxheh 1115, Ibën Huzejme 3/156, Ahmedi 6/72 – el fet-hur rabani.

[940] Buhariu 851, Nesai 1365.

[941] Transmetim Sahih Merfu me shtesën “në shtëpi”, ndërsa vepra e Ibën Umerit për faljen para xhumaje është meukuf (nga vetë ai). “Tamamul Mineh” 326. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1128, Tirmidhiu 522, Nesai 1429.

[942] Muslimi 1984.

[943] Buhariu 931, Muslimi 2017, Ebu Daudi 1115, Nesai 1400, Tirmidhiu 510, Ibën Maxheh 1113.

[944] Muslimi 2021, Ebu Daudi 1117, Ibën Maxheh 1114.

[945] Buhariu 1166, Muslimi 2019, Nesai 1395.

[946] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 468, “El Mishkat” 1394, “Sahihul Xhami” 809. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1119, Tirmidhiu 526, Ahmedi 2/22,32,  Ibën Hibani 571, el Hakim 1/291, Bejhakiu 3/237.

[947] Teurati dhe Ungjilli.

[948] Buhariu 3486, Muslimi 1975.

[949] Muslimi 1483, Ahmedi 6/22 –el fet-hur rabani.

[950] Muslimi 1999, Nesai 1370, Ahmedi 6/21.

[951] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1371, “Et Targib” 727, “Sahihul Xhami” 6143. E ka nxjerrë Ahmedi 14951, Ebu Daudi 1052, Nesai 1369, Tirmidhiu 500, Ibën Maxheh 1125.

[952] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 3111. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1067, Bejhakiu 3/172.

[953] Nuk e transmeton Ebu Daudi tërë tekstin e hadithit, porse ai është një fabrikim mes dy transmetimeve, njëri i Ebu Daudit 551, i cili është i dobët, dhe tjetri i Ibni Maxhes 793, i cili është i saktë.

[954] Buhariu 616, Muslimi 1602, Ebu Daudi 1066, Ibën Maxheh 939.

[955] Nuk lejohet që dikush, i cili ka falur të xhumanë, të falë edhe namazin e drekës. Ky gjykim është me unanimitet të gjithë dijetarëve muslimanë, sepse e kundërta nënkupton që Allahu e ka obliguar besimtarin me gjashtë namaze në ditë. Kush e lejon faljen e namazit të drekës pasi ka falur të xhumanë, nuk ka argument logjik dhe fetar nga Kurani apo Suneti, apo mendim i ndonjërit prej Imamëve të mëdhenj që ta mbështesë .

[956] Buhariu 904, Ebu Daudi 1084, Tirmidhiu 503, Bejhakiu 3/190.

[957] Muslimi 1989, Ebu Daudi 1085, Nesai 1390, Ibën Maxheh 1100.

[958] Muslimi 1986, Nesai 1389, Ahmedi 6/39.

[959] Hadith Daif. “El Irva” 595. E ka nxjerrë Darakutni 169, Ibën Ebi Shejbe 1/206.

[960] Transmetim i saktë nga disa prej tyre. “El Irva” 146. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 1/206.

[961] Hadith Sahih. “El Irva” 3/62. Por hadithi nuk e prek që ai namaz që kanë falur ka qenë namazi i të xhumasë ;”Tamamul Mineh” 330.

[962] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend pak më parë.

[963] Hadith Daif. “El Irva” 489, “el Mishkat” 1081. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 972, Tahaviu 1/182, Darakutni f.105, Bejhakiu 3/69.

[964] Ether Sahih. “Ed Daife” nën hadithin nr. 917.

[965] Buhariu 892, Ebu Daudi 1068.

[966] Ether Sahih. “Tamamul Mineh” 332, “El Irva” 3/66. E ka nxjerrë Abdurrazaku 3/170.

[967] Hadith Sahih. “El Irva” 622. E ka nxjerrë Nesai, Tirmidhiu 524, Ibën Maxheh 1121, Bejhakiu 3/203, Taberani në “El Kebir” 2/195.

[968] Të njëjtin mendim kanë pasur edhe dijetarët, Abdul Melik ibni Habib dhe Ibni Maxhishun të shkollës malikite.

[969] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Es Sahiha” 2076; Këtu i gjen të gjitha rrugët e transmetimit të tij në mënyrë të paparë më parë.

[970] Njësoj si nxjerrja e hadithit paraardhës.

[971] Një thirrje e tretë nënkupton thirrjen përveç ezanit dhe ikametit për fillimin e namazit.

[972] Buhariu 913, Ebu Daudi 1087, Nesai 1392, Tirmidhiu 516, Ibën Maxheh 1135.

[973] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ahmedi 15158, Nesai 1394.

[974] Hadith Sahih me dëshmues. “Tamamul Mineh” 333, “Es Sahiha” 2080. E ka nxjerrë Buhariu në “Et Tarih el Kebir” 4/2, Ibën Hibani në “Eth thikat” 7/518, Ibën Maxheh 1136.

[975] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 333, “El Irva” 2. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4840, Ibën Maxheh 1894, Darakutni f.85.

[976] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 334. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4841, Tirmidhiu 1106, Ahmedi 2/302, 343.

[977] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 335. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1097.

[978] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 335. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1098.

[979] Muslimi 1992, Ebu Daudi 1094, Nesai 1418, Ibën Maxheh 1106.

[980] Hadith Hasen. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1107.

[981] Muslimi 2012, Ebu Daudi 1102, Nesai 1411, Ahmedi 6/94 –el fet-hur rabani.

[982] Buhariu 3230,3268,4819, Muslimi 2008, Ebu Daudi 3992, Tirmidhiu 508, Nesai 1410.

[983] Hadith Daif. “Et Targib” 441. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1111.

[984] Buhariu 920, Muslimi 1991, Tirmidhiu 506, Nesai 1415, Ibën Maxheh 1105.

[985] Muslimi 1993, Ebu Daudi 1093, Nesai 1417, Ahmedi 6/89.

[986] Ibën Ebi Shejbe 3/117.

[987] Muslimi 2006, Ahmedi 6/91.

[988] Muslimi 2000, Ebu Daudi 1101, Tirmidhiu 507, Nesai 1581, Ibën Maxheh 1106.

[989] Hadith Sahih. “El Mishkat” 5833, “Er Raudu en Nadir” 371. E ka nxjerrë Nesai 1414, Darimi.

[990] Muslimi 2002, Nesai 1578, Ibën Maxheh 45.

 

[991] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 336-337, “Sahih Ebi Daud” 1016, “El Mishkat” 6159. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1109, Nesai 1413, Tirmidhiu 3774, Ibën Maxheh 3600.

[992] Muslimi 2022, Nesai 5392, Ahmedi 6/101,102, Bejhakiu 3/218.

[993] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 338, “Ed Daife” 1760. E ka nxjerrë Ahmedi 1/230, Ibën Ebi Shejbe 2/125, Taberani 3/167, El Bezar 644-el Keshf.

[994] Hadith Hasen. “El Mishkat” 1396, “Et Targib” 723, “Sahihul Xhami” 8045. E ka nxjerrë Ahmedi 2/181,214, Ebu Daudi 1113, etj.

[995] Buhariu 394, Muslimi 1962, Ebu Daudi 1121, Tirmidhiu 512, Nesai 1401,1402, Ibën Maxheh 1110.

[996] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 338, “El Irva” 2/80. E ka nxjerrë Ibën Maxheh , Tahaviu 1/215, Tajalisi, Ibën Huzejme 1807.

[997] Ether Sahih. “Tamamul Mineh” 339. E ka nxjerrë Maliku 1/126, Shafiu në “El Umm” 1/175, Bejhakiu 3/193.

[998] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[999] Buhariu 580, Muslimi 1370,1371,1372, Ebu Daudi 1121, Nesai 552, Tirmidhiu 524, Ibën Maxheh 1122.

[1000] Transmetim Sahih. “Tamamul Mineh” 340, “El Irva” 621. E ka nxjerrë Taberani në “El Kebir” 3/38, Ibën Ebi Shejbe 1/126, Bejhakiu 3/204.

[1001] Ether Sahih. “Tamamul Mineh 340, “El Irva” 3/83.

[1002] Transmetim i dobët. “Tamamul Mineh” 341. E ka nxjerrë Ahmedi 1/32, Bejhakiu 3/182-183. Megjithatë, fjala e Umerit “Nëse ka shumë njerëz, ndokush prej jush mund ta bëjë sexhden në shpinën e vëllait të tij” është nxjerrë nga Abdurrazaku 5465,5469, me dy rrugë transmetimi të tjera, njëra nga të cilat është e saktë ndërsa tjetra e ndërprerë, por edhe këtë të dytën e ka nxjerrë Bejhakiu me zinxhir të lidhur.

[1003] Muslimi 2033, Ebu Daudi 1131, Nesai 1426, Tirmidhiu 523, Ibën Maxheh 1132.

[1004] Buhariu 937, Muslimi 2036,2037, Ebu Daudi 1122, Nesai 1428, Tirmidhiu 522, Ibën Maxheh 1130.

[1005] Shprehja e Ebu Daudit 1130 është ndryshe nga kjo që përmendet, ndërsa hadith nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), në lidhje me këtë çështje nuk ka.

[1006] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[1007] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 343. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1070, Nesai 1591, Ibën Maxheh 1310, Darimi 1/316,317, Ibën Huzejme 2/359. Ndërsa Tirmidhiu nuk e ka nxjerrë këtë hadith.

[1008] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 4365. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1073, Ibën Maxheh 1311, Bejhakiu 3/318.

[1009] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1072.