Ekzistimi i pamohueshëm i sëmundjes së Zemrës

 


Nga libri: Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit – Igathetu el Lehefan Fi Mesajidi es Shejtan

Autor: Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibën Kajim el Xheuzije (691-751 H. / 1292-1350)

Përktheu: Bledar Albani


Allahu i Lartësuar, për hipokritët thotë:

“في قلوبهم مرض فزادهم الله مرضاً”

“Në zemrat e tyre ka sëmundje (dyshimi dhe hipokrizie) dhe Allahu ua shtoi atë sëmundje edhe më shumë.” [El Bekare: 10].

Gjithashtu ka thënë:

“ليجعلَ ما يُلقي الشيطان فتنةً للذين في قلوبهم مرضٌ”

Me qëllim që Ai (Allahu) t’a bëjë atë që është hedhur e përzierë në të nga djalli, sprovë për ata, zemrat e të cilëve janë me sëmundje.” [El Haxh: 53].

 

Allahu gjithashtu thotë:

“يا نساء النبي لستن كأحد من النساء إن اتقيتنَ فلا تخضعن بالقول فيطمع الذي في قلبه مرض”

O gratë e Pejgamberit! Ju nuk jeni si çdo grua tjetër. Nëse ju i përmbaheni devotshmërisë (ndaj Allahut), atëherë mos flisni me zë të ëmbël, se mos ndonjë me sëmundje në zemër shtyhet nga dëshira e ligë! [El Ahzab: 32].

Kështu, Allahu i urdhëroi ato që të mos flasin me zë të ëmbël e provokator, me qëllim që të mos shtyhet nga dëshira e ligë ai që ka sëmundje në zemër, por as të mos flasin me zë të ashpër e fjalë të ulëta, pasi kjo bie ndesh me moralin. Ajo që kërkohet prej tyre është që të flasin fjalë të drejta dhe natyrshëm.

 

Allahu i Madhëruar thotë:

“لَئِن لم ينتهِ المنافقون و الذين في قلوبهم مرض و المرجفون في المدينة لنغرينك بهم ثم لا يُجاورونك فيها إلا قليلا”

Në qoftë se hipokritët dhe ata në zemrat e të cilëve ka sëmundje, edhe ata që përhapën shpifje nëpër Medine nuk heqin dorë, Ne padyshim që do të të bëjmë që ti t’i mposhtësh ata dhe nuk do të munden të rrinë në të si fqinjtë e tu, veçse për shumë pak kohë.” [El Ahzab: 60].

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk vënë roje të Zjarrit veçse engjëj dhe Ne e kemi sjellë numrin e tyre të përcaktuar (me 19 engjëj) vetëm si sprovë për mosbesimtarët, me qëllim që ithtarët e Librave të mëparshëm (çifutët dhe të krishterët) të arrijnë në një bindje (se ky Kuran është e vërteta) dhe që besimtarët të shtojnë besimin (se ky Kuran është e vërteta), dhe që të mos lihet asnjë dyshim për ithtarët e Librave të mëparshëm dhe për besimtarët, dhe që ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (hipokrizie) dhe mosbesimtarët të thonë: “Çfarë kërkon të thotë Allahu me këtë shembull (të çuditshëm)?” Kësisoj Allahu humd atë që Ai do dhe udhëzon atë që Ai do. Dhe askush nuk mund t’i dijë ushtritë e Zotit tënd, veç Atij Vetë. Dhe ky (të përmendurit e xhehenemit) nuk është gjë tjetër, veçse këshillim përkujtues për njerëzimin.” [El Mudethir: 31].

Allahu i Lartësuar tregon këtu për urtësinë për të cilën Ai e ka caktuar numrin e engjëjve të ngarkuar me ruajtjen e Zjarrit dhe se numri i tyre është nëntëmbëdhjetë engjëj.

Këtu, Allahu i Madhëruar ka përmendur pesë urtësi:

  1. Sprova për mosbesimtarët, e cila është shtim i kufrit dhe humbjes së tyre.
  2. Bindja e fortë e ithtarëve të Librave të mëparshëm e cila shtohet edhe më shumë kur ky lajm (tregimi i numrit të engjëjve rojë) përputhet me atë që gjendet tek ata dhe që e kanë marrë nga pejgamberët e tyre, duke qenë se i Dërguari Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka marrë këtë gjë prej tyre. Kështu që, kokëfortëve prej tyre i ngrihet argumenti dhe për ta nuk mbet justifikim, ndërsa ata që do Allahu, i udhëzon që t’i nënshtrohen besimit.
  3. Rritja e besimit të atyre që kanë besuar për shkak të besimit të tyre plotësisht në këtë lajm dhe të pranuarit e tij.
  4. Heqja e dyshimit nga ithtarët e Librave të mëparshëm për shkak se ata e besojnë diçka të atillë dhe nga besimtarët për shkak të besimit të tyre në të.

Këto janë katër urtësi: Sprova për mosbesimtarët, bindja e ithtarëve të Librit, rritja e besimit të besimtarëve dhe heqja e dyshimit nga besimtarët dhe nga ithtarët e Librit.

  1. Ndërsa e pesta është: Dilema dhe dyshimi i mosbesimtarit, në zemrën e të cilit ka sëmundje dhe zemra e tij është verbuar nga të perceptuarit e domethënies së kësaj, për këtë shkak ai thotë: “Çfarë kërkon të thotë Allahu me këtë shembull (të çuditshëm)?”

 

Këto janë gjendjet e zemrave kur ato përballen me hakun dhe të vërtetën që u zbret atyre: një zemër e sprovuar me të, mohuese dhe refuzuese e saj, një zemër tjetër shton me të besim e bindje, një tjetër bindet për vërtetësinë e saj dhe me të i ngrihet argumenti dhe nuk ngel justifikim për të, dhe një zemër tjetër është në dilemë e verbëri, dhe ajo nuk e di se çfarë është për qëllim me të.

Nëse bindja dhe mosdyshimi në këtë rast, kthehen tek e njëjta gjë, atëherë përmendja e mosdyshimit është aprovues i bindjes, forcues i saj dhe refuzues i çdo gjëje që e kundërshton atë. E nëse ato kthehen në dy gjëra të ndryshme; që bindja të kthehet tek lajmi i përmendur për numrin e engjëjve rojë, ndërsa mosdyshimi të kthehet tek e përgjithshmëja e lajmit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për arsye të argumentuarit e këtij lajmi i cili nuk mund të njihet veçse nëpërmjet pejgamberëve, për vërtetësinë e tij, kështu që ai i cili e ka mësuar vërtetësinë e këtij lajmi, nuk dyshon në saktësinë e tij pas njohjes së sinqeritëtit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Me këtë gjë del në pah edhe dobia e të përmendurit e këtij lajmi.

 

Qëllimi ynë këtu është përmendja e sëmundjes së zemrës dhe vërtetësisë së pamohueshme të saj. Allahu i Lartësuar thotë:

“يا أيها الناس قد جاءتكم موعظةٌ من ربكم و شفاء لما في الصدور و هدىً و رحمةٌ للمؤمنين”

O njerëz! Ju ka ardhur juve një këshillë e mirë nga Zoti juaj (Kurani) dhe shërim për atë që ndodhet në gjokse, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” [Junus: 57].

Pra, Kurani është shërues i atyre që ndodhen në gjokse prej sëmundjeve të injorancës dhe të gabuarit; injorancja është një sëmundje, shërimi i të cilës është dija dhe udhëzimi i drejtë, ndërsa të gabuarit është një sëmundje, shërimi i të cilës është arsyetimi i shëndoshë.

Allahu i Lartësuar e ka pastruar të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga këto dy sëmundje, ku thotë:

“و النجم إذا هوى ما ضل صاحبكم و ما غوى”

Betohem për yllin kur ai bie (a shuhet)! Shoku juaj (Muhamedi) as nuk ka humbur rrugën e drejtë, as nuk ka gabuar. [En Nexhm: 1-2].

Po kështu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka cilësuar Kalifet e tij të drejtë me të kundërtën e këtyre dyjave, me fjalët: “Kapuni të gjithë për sunetin (rrugën) tim dhe sunetin e Kalifëve të drejtë e të udhëzuar që do të jenë pas meje!”[1]

 

Allahu i Madhëruar e ka bërë Fjalën e Tij këshillë për të gjithë njerëzimin, dhe udhëzim e mëshirë posaçërisht për ata të cilët kanë besuar tek Ai dhe shërim i plotë për atë që ndodhet në zemra (prej sëmundjeve të tyre); kushdo që kërkon shërim me Kuranin, ai shërohet nga sëmundja e tij, ndërsa ai i cili nuk kërkon shërim me të, atij i shtohet edhe më shumë sëmundja e shkatërrimi.

Allahu i Madhëruar thotë:

“و ننزل من القرآن ما هو شفاءٌ و رحمةٌ للمؤمنين و لا يزيد الظالمين إلا خسارا”

Ne kemi zbritur nga Kurani atë që është shërim e mëshirë për ata që besojnë, ndërsa të padrejtëve (idhujtarëve e mohuesëve) ai nuk u shton veçse humbje.” [El Isra: 82].

I gjithë Kurani është shërim dhe mëshirë për besimtarët.

Shkaqet dhe diagnoza e sëmundjes së trupit dhe zemrës

Përderisa sëmundja e trupit është e kundërta e shëndetit dhe normales së tij, e cila është dalja e tij nga gjendja normale, për shkak të ndonjë defekti që i paraqitet atij dhe i prish (1-) perceptimin dhe (2-) lëvizjen e tij normale, atëherë perceptimi i tij mund të humbasë plotësisht, si humbja e shikimit, e dëgjimit apo paraliza, ose mund të humbasë pjesërisht si rezultat i dobësimit të mjeteve të perceptimit edhe pse vetë perceptimi mund të jetë i rregullt. Ose mund t’i perceptojë gjërat ndryshe nga ç’janë në realitet, si mund t’i duket e ëmbëlta e hidhur, e keqja e mirë dhe e mira e keqe.

Ndërsa prishja e lëvizjes së tij normale, si p.sh: të dobësohet fuqia e tij përtypëse, shtrënguese, shtytëse, tërheqëse etj, duke iu shkaktuar kështu dhimbje në varësi të daljes së tyre nga normalja, por megjithatë, ai nuk ka arritur deri në vdekje dhe shkatërrim, por ai zotëron një lloj fuqie për perceptim dhe lëvizje.

Shkaku i kësaj dalje nga normalja është: ose defekti në sasi, ose defekti në cilësi.

E para: Ose mund të jetë për shkak të mangësisë në lëndën e nevojshme, gjë e cila kërkon shtim të saj, ose e kundërta e kësaj; që të ketë lëndë të tepërt e cila duhet të pakësohet.

E dyta: Mund të jetë për shkak të tejkalimit të temperaturës, ose të ftohtit, ose të lagështirës, ose të thatësirës, ose për shkak të zbritjes së këtyre nën kufirin normal. Sigurisht që mjekimi i këtyre bëhet në varësi të secilës sëmundje.

Boshti i shëndetit është (1) ruajtja e fuqive, (2) ruajtja nga çdo gjë e dëmshme dhe (3) eliminimi i të gjitha lëndëve të prishura.

Në këto tre baza sillet edhe vështrimi i doktorit dhe ato i ka përfshirë Libri i Ndershëm, Shpallësi i të cilit e ka zbritur atë shërim e mëshirë, ka udhëzuar për tek ato.

Ruajtja e fuqive: A nuk e ka urdhëruar Allahu i Madhëruar udhëtarin dhe të sëmurin që ata ta çelin agjërimin në Ramazan, dhe më pas, kur udhëtari të kthehet në vendin e tij ndërsa i sëmuri kur të shërohet, duhet t’i kompensojnë ato ditë që kanë lënë, dhe kjo për shkak se atyre iu kthye fuqia e tyre? Agjërimi ia shton dobësinë të sëmurit dhe po kështu edhe udhëtari ka nevojë për fuqi që të përballojë lodhjen e udhëtimit, ndërsa agjërimi ia dobëson atij fuqitë.

Ruajtja nga çdo gjë e dëmshme: A nuk e ka ruajtur Allahu i Madhëruar të sëmurin nga të përdorurit e ujit të ftohtë kur merr avdes dhe kur lan të gjithë trupin, nëse kjo gjë e dëmton atë, duke e urdhëruar atë që të kalojë tek marrja tejemum? Dhe kjo, vetëm me qëllim që ai të ruhet nga shfaqja e ndonjë gjëje të dëmshme në trupin e tij, në atë sipërfaqësoren, e si do të ishte puna me dëmtuesit e brendshëm të tij?!

Eliminimi i të gjitha lëndëve të prishura: A nuk ia ka lejuar Allahu i Madhëruar pelegrinit i cili ka sëmundje në kokën e tij, që ta rruajë atë para kohës së përcaktuar, me qëllim që ai të heqë nga koka e tij lëndët dëmtuese të tij? Dhe kjo është prej gjërave më të lehta e më të vogla, por me këtë tërhiqet vërejtja për gjërat më të nevojshme e më të mëdha se kjo.

Një herë, unë ia përmenda këtë gjë njërit prej doktorëve të mëdhenj të Egjiptit dhe ai tha: Betohem në Allahun! Sikur të udhëtoja deri në Perëndim, vetëm për të mësuar këtë gjë të dobishme, ai udhëtim do të ishte pak. –Apo fjalë të përafërt me këtë.

Nëse mësohet kjo, atëherë duhet ditur se zemra ka nevojë për diçka që t’i ruajë asaj fuqitë e saj, dhe ai është besimi dhe kryerja e bindjeve ndaj Allahut.

Po ashtu ka nevojë për ruajtje nga dëmtuesit e dëmshëm, gjë e cila bëhet me të larguarit nga gjynahet, të këqiat dhe nga të gjitha llojet e kundravajtjeve ligjore të Sheriatit.

Si dhe ka nevojë gjithashtu që të zbrazet e pastrohet nga çdo lëndë e prishur e cila i shfaqet asaj, dhe kjo arrihet me pendim të sinqertë dhe duke kërkuar falje nga Falësi i Madh i gjynaheve.

 

Sëmundja e zemrës është një lloj prishjeje që i ndodh asaj dhe i prish përfytyrimin e të vërtetës dhe kërkimin e saj; ajo nuk e sheh të vërtetën si të vërtetë, ose e sheh atë ndryshe nga realiteti i saj, ose e sheh me perceptim të mangët gjë e cila shkakton prishjen e të synuarit e saj. Kështu, ky person e urren të vërtetën e dobishme, ose do të kotën e dëmshme, ose i bashkohen ato që të dyja, por kjo e dyta dominon mbi tjetrën.

Për këtë shkak, sëmundja që i shfaqet kësaj zemre komentohet herë me dyshim e pavendosmëri, siç ka thënë Muxhahidi dhe Katade në komentimin e Fjalës së Allahut:  “في قلوبهم مرض” në zemrat e tyre ka sëmundje [El Bekare: 10]; d.m.th: ka dyshim.

Dhe një herë tjetër komentohet me epshin e imoralitetit e kurvërisë, siç është komentuar Fjala e Allahut: “فيطمعَ الذي في قلبه مرض” se mos ndonjë me sëmundje në zemër shtyhet nga dëshira e ligë!” [El Ahzab: 32].

Kështu, e para është sëmundja e të dyshuarit, ndërsa e dyta sëmundja e epsheve.

Ndërsa shëndeti ruhet me shëndet si vetë ai. Dilemat dhe sëmundja largohet me të kundërtën e tyre; ato forcohen me dilemma e sëmundje të tjera dhe hiqen me të kundërtën e tyre (siguri dhe shëndet).

Pra, shëndeti ruhet duke marrë masat dhe shkaqet e atij, dhe dobësohet me të kundërtën e kësaj.

Dhe përderisa trupi i sëmurë dëmtohet më shumë dhe më lehtë nga ç’mund të dëmtohet trupi i shëndoshë, kështu edhe zemra; nëse në të ka sëmundje, ajo dëmtohet edhe nga sasia më e vogël e dyshimit dhe epshit, saqë nuk mundet dhe nuk ka fuqi që t’i largojë ato, kur i paraqiten asaj.

Ndërsa zemra e shëndoshë dhe e fortë, edhe nëse i ballafaqohen dyshime e epshe shumë herë më të mëdha se këto, ajo i largon ato dhe forcën dhe shëndetin e saj.

Me një fjalë, nëse të sëmurit i shfaqet sëmundje e njëjtë me atë të tij, atëherë sëmundja e tij shtohet, fuqia e tij dobësohet dhe ai është drejt shkatërrimit, nëse ai nuk e percepton këtë dhe nuk arrin shkaqet e forcimit të tij dhe të shërimit të sëmundjes së tij.  

 

[1] Hadith Sahih. E transmeton Ebu Daudi (4607) etj. E ka saktësuar el Albani.