Qëndrimi i Allahut mbi Arshin e Tij
Nga libri: AKIDEJA E SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT
Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)
Përktheu: Bledar Albani
Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se Allahu i Madhëruar është mbi shtatë qiejt e Tij, mbi Arshin e Tij, siç e ka thënë këtë në Librin e Tij, në Fjalën e Tij, në suren El-A’raf:
“Padyshim që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [El A’raf: 54].
Dhe në suren Junus:
“Padyshim që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë, pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai sistemon e zotëron çështjet për çdo gjë. Asnjë ndëmjetësues nuk mund të kërkojë të flasë (për të ndërmjetësuar tek Ai), veçse pas Lejes së Tij…” [Junus: 3].
Në suren Er Rad:
“Allahu është Ai, i Cili ngriti qiejt pa shtylla që ti shihni, pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh…” [Er Rad: 2].
Në suren El Furkan:
“Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh. I Gjithëmëshirshmi! Kështu pra, pyete Atë (O Muhamed, për Cilësitë e larta të Tij etj.), sepse Ai është i Njohur për gjithçka.” [El Furkan: 59].
Në suren Es Sexhde:
“Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [Es Sexhde: 3].
Në suren Ta-ha:
“I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5].
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na ka treguar për Faraonin e mallkuar, se ai i tha Hamanit:
“O Haman! Ndërto për mua një kullë që të mund t’i arrij rrugët. Rrugët e qiejve dhe të mund të shoh Zotin e Musait, por unë me të vërtetë që e quaj atë gënjeshtar…” [Gafir: 36-37].
Faraoni nuk e tha këtë, veçse pasi dëgjoi Musain (alejhis selam) të thotë se Zoti i tij është në qiell. A nuk e sheh fjalën e Faraonit: “por unë me të vërtetë që e quaj atë gënjeshtar”, d.m.th. e quaj gënjeshtar për fjalën e tij se në qiell ka Zot.
Prej këtu, të gjithë dijetarët e umetit dhe imamët e mëdhenj prej selefëve (Allahu i mëshiroftë!) nuk janë kundërshtuar kurrë në fjalën se Allahu është mbi Arshin e Tij dhe se Arshi i Tij është mbi shtatë qiejt e Tij.
Ata (dijetarët e Hadithit dhe pasuesit e sunetit) pohojnë e konfirmojnë në këtë çështje, atë që ka pohuar Allahu i Lartësuar, besojnë në të dhe e besojnë lajmin e Zotit të tyre. Ata thonë ashtu si ka thënë Allahu për qëndrimin e Tij mbi Arshin e Tij, duke e marrë atë nga kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalëve dhe duke ia lënë Allahut dijen dhe njohurinë e të vërtetës (natyrës) së tij (qëndrimit mbi Arsh dhe çdo Cilësije të Allahut). Ata thonë:
“Ne besojmë në të (Kuranin); i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Por nuk marrin mësim veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].
Kështu ka thënë Allahu për të vendosurit plotësisht në dije, se ata e thonë këtë fjalë dhe Allahu ua pëlqen këtë atyre e i lavdëron ata.
(Autori thotë): Na ka treguar Ebu Hasen Abdurrahman ibën Ibrahim ibën Muhamed ibën Jahja el Mizki, se Muhamed ibën Daud ibën Sulejman ez Zahi u ka thënë: Më ka treguar Ali ibën Muhamed ibën Ubejd Ebu el Hasen, se Ebu Jahja ibën Kisbeh el Uerak ka thënë: Na ka thënë Muhamed ibën Eshras el Uerak Ebu Kenane, se Ebu Mugirah el Hanefi ka thënë: Na ka thënë Kuratu ibën Halid, se Hasenit i ka thënë babai i tij, se Umu Selemeh (gruaja e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nëna e besimtarëve), për fjalën e Allahut të Lartësuar: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5], ka thënë:
“El Istiua (ngritja dhe qëndrimi mbi diçka) nuk është e panjohur (në gjuhën arabe), përshkrimin e tij nuk e kap mendja (në lidhje me qëndrimin e Allahut mbi Arsh), pohimi i tij është prej besimit, ndërsa mohimi i tij është kufër (mosbesim).”[1]
Na ka treguar Ebu Hasen ibën ebi Is’hak el Mizki ibën el Mizki, se Ahmed ibën Hadër Ebu el Hasen esh Shafii ka thënë: Na ka thënë Shadhani, se Ibën Mahled ibën Jezid el Kuhustani ka thënë: Xheafer ibën Mejmun ka thënë: Është pyetur Malik ibën Enes për Fjalën e Allahut: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi? Ai tha:
“Istivaja (ngritja dhe qëndrimi mbi diçka) nuk është i panjohur (në gjuhën arabe), përshkrimin e tij nuk e kap mendja, besimi në të është obligim, ndërsa pyetja për të është bidat. Por unë nuk të shoh ty, veçse të humbur.” Pastaj urdhëroi që të nxirrej nga tubimi i tij.[2]
Na ka treguar Muhamed el Muhlidi el Adël, se Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed el Isfraini ka thënë: Na ka thënë Ebu el Husejn Ali ibën el Hasen, se Selemeh ibën Shebib ka thënë: Na ka thënë Mehdi ibën Xheafer ibën Mejmun er Ramli, se Xheafer ibën Abdullah ka thënë:
Erdhi një burrë te Malik ibën Enes dhe e pyeti për Fjalën e Allahut: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi? Xheaferi thotë: Nuk e kisha parë të nxehej ndonjëherë në atë mënyrë që u nxeh prej fjalës së tij, saqë e mbuluan djersët nga nxehja dhe qëndroi pa folur me shikimin në tokë. Njerëzit po prisnin se çdo të ndodhte dhe pasiqë ajo nxehje dhe skuqje e madhe u largua prej imam Malikut (Allahu e mëshiroftë!), ai tha:
“Përshkrimin e tij nuk e kap mendja, Istivaja nuk është e panjohur, besimi në të është vaxhib, ndërsa pyetja për të është bidat. Por unë kam frikë se ti je i humbur.” Pastaj urdhëroi që të nxirrej jashtë.[3]
Të njëjtin Hadith ma ka treguar edhe gjyshi im, Ebu Hamid Ahmed ibën Ismail, se gjyshi i babait tim, Ebu Abdullah Muhamed ibën Udej ibën Hamdauejh es Sabuni ka thënë: Na ka thënë Muhamed ibën Ahmed ibën Ebi Aun en Nesevi, se Selemeh ibën Shebib ka thënë: Na ka thënë Mehdi ibën Xheafer er Ramli, se Xheafer ibën Abdullah ka thënë:
Një burrë erdhi te Malik ibën Enes dhe i tha: O Ebu Abdullah (kunja e imam Malikut)! Në Kuran thuhet: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi?
Thotë (Xheaferi): Nuk e kisha parë të nxehej ndonjëherë në atë mënyrë që u nxeh prej fjalës së tij…Pastaj përmendi njësoj si Hadithi i mësipërm.
Është pyetur Ebu Ali el Husejn ibën el Fadël el Bexheli, për Istivanë me pyetjen: Si qëndroi mbi Arshin e Tij?
Ai tha: “Ne nuk dimë nga e fshehta veçse atë që na është treguar, ndërsa Allahu i Lartëmadhëruar na ka treguar se Ai qëndroi mbi Arshin e Tij, por nuk na ka treguar se si ka qëndruar.”
Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah (el Hakim en Nisaburi), se Ebu Bekër Muhamed ibën Daud Ez Zahid ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Abdurrahman es Sami, se Abdullah ibën Ahmed Shebbuvejh el Muruzi i ka thënë: Kam dëgjuar Ali ibën el Hasen ibën Shekik të thotë: Kam dëgjuar Abdullah ibën Mubarek të thotë:
“Ne e njohim Zotin tonë që është mbi shtatë qiejt, qëndruar mbi Arshin e Tij, i ndarë nga krijesat e Tij dhe nuk themi siç thonë xhehmitë, se: Ai është këtu e atje -duke bërë me shenjë nga toka.”[4]
El Hakim Ebu Abdullah, në librin “Historia”, të cilin e ka mbledhur për banorët e Nisaburit dhe në librin “Njohja e Hadithit” të cilat ai i ka mbledhur dhe nuk e ka paraprirë kush në to, thotë: Kam dëgjuar Ebu Xheafer Muhamed ibën Salih ibën Hani të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme të thotë:
“Kush nuk thotë, se Allahu i Madhëruar është mbi Arshin e Tij, qëndruar mbi shtatë qiejt, ai është kafir –mohues i Zotit të tij- dhe gjaku i tij është i lejuar. Atij i jepet rasti për t’u penduar dhe nëse nuk pendohet, atëherë i pritet koka dhe i hidhet në plehra, ashtu që të mos dëmtohen muslimanët nga era e keqe e kufomës së tij. Pasuria e tij bëhet si plaçka e luftës dhe atë nuk e trashëgon askush prej muslimanëve (të afërmëve të tij muslimanë), sepse muslimani nuk e trashëgon jomuslimanin, siç ka thënë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “Muslimani nuk e trashëgon kafirin dhe as kafiri muslimanin.”[5]
Imami ynë, Ebu Abdullah Muhamed ibën Idris esh Shafii (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “El Mebsut”, në çështjen e lirimit të një robëreshe besimtare prej atij që ka bërë një gjynah, për faljen e të cilit duhet të lirosh një rob, pasiqë mosbesimtarja nuk vlen për këtë lloj pendimi, ai argumentoi me Hadithin e Muavije ibën Hakim, i cili donte të lironte një robëreshë të zezë dhe pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të. Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e provokoi atë robëreshën duke i thënë: “Kush jam unë?” Ajo bëri me shenjë nga ai dhe pastaj nga qielli, d.m.th: “Ti je i Dërguari i Allahut që është në qiell.” Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:
“Liroje atë, sepse ajo është besimtare.”[6]
Kështu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjykoi se ajo është muslimane dhe besimtare, për shkak të pohimit të saj se Allahu është në qiell dhe se ajo e njihte Zotin e saj me cilësinë e të qenurit lart dhe mbi krijesat e Tij.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) argumentoi me këtë Hadith për tu provuar kundërshtarëve të tij, të cilët thonë se në kefare lejohet të lirosh një robereshë mosbesimtare, se ajo duhet të jetë besimtare. Ai nuk argumentoi me këtë Hadith, vetëm për shkak se vetë ai beson se Allahu i Lartësuar është mbi krijesat e Tij, mbi shtatë qiejt, mbi Arshin e Tij. Ashtu siç është edhe bindja dhe besimi i muslimanëve të Ehli Sunetit dhe Xhematit, të parët dhe të mëvonshmit prej tyre. Kjo, sepse imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) nuk transmetonte ndonjë Hadith të saktë dhe pastaj të mos e besonte atë dhe të mos vepronte sipas tij.
Na ka treguar El Hakim Ebu Abdullah (Allahu e mëshiroftë!), se imam Ebu el Uelid Hasan ibën Muhamed, dijetari i fikhut ka thënë: Ibrahim ibën Mahmud na ka thënë: Kam dëgjuar Rabij ibën Sulejman të thotë: Kam dëgjuar Shafiun të thotë:
“Nëse shihni që unë kam thënë ndonjë fjalë nga vetja ime, por ndonjë Hadith i saktë i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kundërshton atë, atëherë dijeni se mendja ime më ka pas ikur (në atë çështje).”
El Hakimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: Kam dëgjuar Ebu el Uelid, më shumë se një herë, të thotë: Më kanë treguar se Zeaferani ka thënë: Një ditë, Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) transmetoi një Hadith dhe dikush prej të pranishmëve tha: O Ebu Abdullah! A e beson këtë Hadith dhe a gjykon sipas tij? Ai tha:
“Mos më sheh gjë në ndonjë marrëveshje apo më sheh në kishë?! Apo mos sheh gjë të kem veshur uniformë të mosbesimtarëve?! Unë jam ky që më sheh. Ulur në një xhami të muslimanëve, veshur me veshjen e tyre dhe drejtuar kibles së tyre. A mundet atëherë, që të transmetoj një Hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e të mos gjykoj sipas tij?!”[7]
Ebu Uthmani thotë: Dallimi ndërmjet pasuesëve të Sunetit dhe pasuesëve të bidatit, është se pasuesit e bidatit nëse dëgjojnë një Hadith që flet për Cilësitë e Allahut, e kthejnë mbrapsht atë dhe nuk e pranojnë, ose /…/[8], pastaj e sqarojnë atë me sqarime të atilla, pas të cilave fshihet heqja e Hadithit që nga rrënjët dhe rrëzimi i /…/[9], me mendjet dhe gjykimet e tyre, duke e ditur plotësisht dhe me bindje të plotë se thënia e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka për qëllim atë që ka thënë në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj, sepse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e njeh Zotin e Tij më mirë se çdokush tjetër dhe nuk thotë për Të veçse të vërtetën, të sinqertën dhe atë që i shpallet.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai nuk flet nga dëshira (mendja) e tij, por Ai (Kurani dhe Suneti) është vetëm shpallje që i frymëzohet.” [En Nexhm: 3-4].
Zuhriu, prijësi i prijësave të dijes, si dhe dijetarë të tjerë të umetit musliman (Allahu i mëshiroftë!), thonë:
“Detyra e Allahut është sqarimi, detyra e të Dërguarit është komunikimi, ndërsa detyra jonë është pranimi dhe dorëzimi.”[10]
Junus ibën Abdusamed ibën Meakal transmeton nga babai i tij, se Xhead ibën Dirhem[11] erdhi te Uehb ibën Munebih që ta pyesë për Cilësitë e Allahut të Lartësuar dhe ai iu përgjigj:
“Mjerë ti o Xhead! Kam disi përshtypjen se ti je prej të shkatërruarëve. O Xhead! Nëse neve nuk do të na kishte njoftuar Allahu në Librin e Tij se Ai ka Dorë, Sy e Fytyrë, atëherë ne nuk do ta thonim këtë gjë. Kështu që ki frikë Allahun!” Nuk zgjati shumë dhe Xheadi u vra e u kryqëzua.[12]
Halid ibën Abdullah el Kisri[13], në ditën e kurban bajramit, mbajti hytbe në Basra dhe në fund të saj tha:
“Shkoni nëpër shtëpitë tuaja dhe prini kurbanet tuaja, në të cilat Allahu iu dhëntë bereqet! Ndërsa unë do të bëj kurban sot Xhead ibën Dirhemin, i cili thotë se Allahu nuk e ka marrë Ibrahimin si Halil (të dashur) dhe se nuk i ka folur Musait me Fjalën e Tij. I Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga ajo që thotë Xheadi, shumë e shumë i Lartë!
Pastaj zbriti nga minberi dhe e theri me dorën e tij, pastaj urdhëroi që ta kryqëzojnë.”[14]
[1] Këtë fjalë të saj e ka nxjerrë imam El Lalkai në librin e tij: “Shpjegim i bazave të besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit”: 3/397.
Dijetari i Islamit Ibën Tejmije, pasiqë përmendi përgjigjen e imam Malikut të cilën ia ktheu atij që e pyeti se si qëndroi Allahu mbi Arsh? Ai tha (Ibën Tejmije): Kjo përgjigje është transmetuar edhe nga Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) meukuf (si fjalë e vetë asaj) dhe merfuan (nga fjala e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por zinxhiri i transmetuesëve të tij nuk është i besueshëm dhe nuk mund të mbështetesh te ai.” [“Mexhmul fetaua” i shejhul Islam, Ibën Tejmije: 5/365].
[2] Do të vijë më pas nxjerrja dhe rruga e transmetimit të këtij Hadithi, por me zinxhir tjetër, ndërsa këtë rrugë nuk e kam gjetur në ndonjë vend. (Fjala e verifikuesit të librit).
[3] Historinë e imam Malikut me atë që e pyeti atë, e ka nxjerrë imam Ebu Seid ed Darimi, Ebu el Kasim el Lalkai, Ebu Naimi, Bejhakiu dhe Dhehebiu.
[4] Këtë fjalë të Ibën Mubarekut e ka nxjerrë imam Ahmedi në librin “Es sunneh”, Buhariu dhe Dhehebiu. Ibnul Kajim, për këtë fjalë të ibën Mubarekut thotë: Këtë fjalë ai e ka thënë me të vërtetë dhe kjo është e saktë, si të ishte e transmetuar me teuatur- numër të madh transmetuesish.
[5] Këtë Hadith e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.
[6] Këtë Hadith, me këtë shprehje e ka nxjerrë Ebu Daudi, imam Ahmedi dhe Ibën Huzejme nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
Ndërsa Muslimi e ka nxjerrë nga Hadithi i Muavije ibën Hakem, me shprehjen: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha asaj: “Ku është Allahu? Ajo tha: Në qiell. Ai tha: Kush jam unë? Ajo tha: Ti je i Dërguari i Allahut…” Kjo është edhe shprehja që ka ardhur në librin “El Um” të imam Shafiut (Allahu e mëshiroftë!).
[7] E ka transmetuar Ebu Nuajmi në librin “Hiljetul eulija” me shprehje të përafërt me këtë.
[8] Verifikuesi i dorëshkrimit thotë se këtu është një fjalë që nuk kuptohet.
[9] Verifikuesi thotë: Këtu është një fjalë e pakuptueshme dhe pas saj, thuajse një rresht i plotë i bardhë (i pa shkruar).
[10] Burimi i kësaj shprehjeje do të vijë më pas.
[11] Ai është Xhead ibën Dirhem prej fisit Beni Mirvan. Ka jetuar një kohë në Damask deri sa shfaqi thënien se Kurani është i krijuar. Njerëzit e Beni Umejjes e ndoqën atë, por ai u arratis për në Kufa. Aty takoi El Xhehëm ibën Safvan, i cili mori prej tij këtë fjalë (për krijimin e Kuranit). Atë e vrau Halid ibën el Kisri në Kufa, ditën e kurban bajramit në vitin 118 h.
[12] Këtë e ka përmendur Ibën Kethiri në librin “El Bidaje uen Nihaje” të marrë nga libri “Et Tarih” i Ibën Asakir. Gjendet gjithashtu në librin “Sijeru Ealamu En Nubela” të Dhehebiut.
[13] Ai është Halid ibën Abdullah ibën Bexhelij el Kisri ed Dimashki, princi i Mekës në kohën e Uelijd ibën Abdulmelik, pastaj Sulejmanit. Kur erdhi në pushtet Hishami, e ngarkoi atë veli të irakienëve (në Kufa dhe Basra). Ka qenë bamirës dhe predikues orator. E kanë akuzuar për zendekah (fshehje të kufrit dhe shfaqje të tij hera-herës). E kanë torturuar dhe e kanë vrarë në vitin 126 h. [Marrë nga “Sijeru Ealamu en-nubela”, “El Bidaje uen Nihaje” etj].
[14] E transmeton Buhariu në librin “Krijimi i punëve të njerëzve”: f. 29, Darimiu në librin “Kundërpërgjigja ndaj xhehmive”: f. 258, El Axhurri në librin “Esh Sheria”: f. 97, El Lalikai: 2/319, etj.