Të përgëzuarit me Xhenet prej njerëzve

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka përgëzuar me Xhenet dhjetë prej shokëve të tij, të cilët janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Talha[1], ez Zubejr[2], Abdurrahman ibën Auf[3], Seadi[4],

Seidi[5] dhe Ebu Ubejdetu ibën el Xherrah[6].[7]

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë edhe për Thabit ibën Kajs ibën Shimas, se ai është prej banorëve të Xhenetit. Enes ibën Maliku thoshte për të: “Ai ecte në mesin tonë dhe ne thonim se ai është prej banorëve të Xhenetit.”[8]

***

Më të mirët në mesin e sahabeve janë katër halifet

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se më të mirët në mesin e shokëve të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu. Këta janë udhëheqësit e drejtë, qeverisjen e të cilëve e ka përmendur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fjalën e tij, të cilën e transmeton Seid ibën Xhumhan: Nga Sefijneh:

“Hilafeti (udhëheqja e drejtë) pas meje do të jetë për tridhjetë vjet.”[9]

Pastaj, mbas përfundimit të ditëve të tyre, u kthye gjendja në qeverisje të ashpra, ashtu siç njoftoi i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

***

Aprovimi i hilafetit të Ebu Bekër Es Sidikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Ata e aprovojnë hilafetin e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), pas vdekjes së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili u zgjodh nga sahabet me bashkimin njëzëri të tyre dhe duke thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zgjodhi atë prijës në fenë tonë (kur e vuri imam në namaz), kështu që ne e zgjodhëm prijës në dynjanë tonë.”[10]

Ndërsa Ebu Bekrit i thanë: “Ty të parapriu i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kush është ai që mund të të lërë pas!”, duke pasur për qëllim se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e caktoi atë të printe faljen e tyre në ditët e sëmundjes së tij, dhe ne u falëm pas teje me urdhër të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atëherë kush është ai që mund të të lërë mbrapa, pas paraprirjes së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fliste për Ebu Bekrin kur ishte në mesin e sahabeve me fjalë të cilat i bënë ata që të kuptojnë se ai është i pari që meriton t’a zëvendësojë të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pas vdekjes së tij.

Për këtë shkak, ata u bashkuan dhe i dhanë besën atij duke e zgjedhur si prijës të tyre dhe zëvendës të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë e cila u bëri atyre shumë dobi dhe i ngriti shumë lart, saqë Ebu Hurejra tha:

“Pasha Allahun përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër! Nëse nuk do të ishte zgjedhur Ebu Bekri zëvendës i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Allahu nuk do të adhurohej më në tokë.”

Dhe kur i thanë atij: Çfarë thua o Ebu Hurejra!

Atëherë ai solli argumente me të cilat ua mbushi mendjen dhe i bëri që t’a besojnë dhe t’a pranojnë këtë gjë.

***

Aprovimi i hilafetit të Umer ibën El  Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Pas Ebu Bekrit, hilafeti i kaloi Umer ibën el Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), sipas zgjedhjes së Ebu Bekrit para vdekjes dhe me bashkimin e sahabeve për të. Në ditët e tij, Allahu e ngriti lart Islamin dhe çoi në vend premtimin e Tij.

***

Aprovimi i hilafetit të Uthman ibën Afanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Pastaj udhëheqjen e mori Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), me zgjedhjen e sahabëve të mëdhenj dhe të dijshëm dhe bashkimin e të gjithë sahabeve dhe pëlqimin e tyre.

***

Aprovimi i hilafetit të Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Pastaj udhëheqja i kaloi Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), me besën e sahabeve të cilët panë që ai ishte i pari që kishte të drejtë t’a merrte udhëheqjen pas Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe e bënë të ndaluar kundërshtimin dhe thyerjen e urdhërit të tij.

Këta ishin ata katër udhëheqësit e drejtë me të cilët Allahu i Madhëruar e ngriti lart Fenë e Tij, gjunjëzoi dhe mposhti mosbesimtarët, forcoi me ta Islamin, ngriti flamurin e së Vërtetës në ditët e tyre, ndriçoi dhe shndriti me dritën e tyre errësirën dhe çoi në vend Premtimin e Tij të mëparshëm të cilin e ka thënë në Fjalën e Tij:

“Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë e fuqisë së tashme të udhëheqësve në tokë, ashtu siç ua siguroi edhe atyre që ishin para tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur Fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre…” [En Nur: 55].

Si dhe në Fjalën e Tij:

“Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të, janë të ashpër ndaj mohuesve…” [El Fet’h: 29].

Kështu që, kush i do ata, i merr për miq, bën lutje për ta, ruan të drejtat e tyre dhe e njeh vlerën dhe vendin e tyre, ai është me të fituarit. Ndërsa në të kundërt, kush i urren ata, i shan ata apo i mvesh gjëra të tilla siç i mveshin rafiditë (refuzuesit)[11] dhe  havarixhët (Allahu i mallkoftë!), ai është nga të shkatërruarit e të humburit.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë:

“Mos i shani shokët e mi! Ai që i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!”[12]

“Ai që i do ata, i ka dashur nga dashuria që ka për mua dhe ai që i urren ata, i urren nga urrejtja që ka për mua. Kush i ofendon ata, më ka ofenduar mua dhe kush i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!”[13]

***

Falja pas prijësit musliman edhe nëse është vepërkeq

Dijetarët e Hadithit e shohin si obligim faljen e të xhumasë, të dy barjameve dhe të namazeve të tjera, pas çdo imami musliman, qoftë ai vepërmirë apo vepërkeq.

Xhihadi nën udhëheqjen e prijësave të muslimanëve

Ata shohin të obligueshëm gjithashtu, edhe Xhihadin dhe luftimin e armiqëve të muslimanëve nën udhëheqjen e prijësave të tyre, qofshin ata zullumqarë e vepërkëqinj.

***

Lutja për prijësat dhe mosngritja krye ndaj tyre

Ata e shohin obligim lutjen (duanë) për prijësat që të përmirësohen, të gjykojnë drejtë dhe të rregullojnë në tokë.

Dhe nuk e lejojnë daljen me shpatë kundra tyre (kryengritjen) edhe nëse shohin tek ata devijim nga e drejta në padrejtësi e zullum.

Ata shohin gjithashtu luftimin e grupit kryengritës derisa të kthehet në bindjen ndaj prijësit të muslimanëve.

***

Përmbajtja dhe shmangia e asaj që ndodhi ndërmjet sahabeve

Ata e shohin obligim përmbajtjen dhe shmangien prej grindjes që ndodhi ndërmjet shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pastrimin e gjuhës nga përmendja e ndonjë të mete apo mangësie të tyre.

Ata e shohin obligim kërkimin e mëshirës për të gjithë ata dhe dashurinë për të gjithë ata.

***

Nderimi i grave të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe konsiderimi i tyre nëna të besimtarëve:

Po ashtu, ata e shohin të obligueshëm nderimin e grave të Pejgamberit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), lutjen për to, njohjen e vendit të tyre dhe pohimin se ato janë nëna të besimtarëve.

***

Shpërblimi me Xhenet nuk është meritë e besimtarëve nga veprat e tyre

Ata besojnë dhe dëshmojnë se askush nuk e meriton Xhenetin edhe nëse veprat e tij janë të mira dhe rruga që ka ndjekur në jetë ka qenë e kënaqshme, vetëm nëse Allahu hedh Mirësinë e Tij mbi të, duke e futur atë në Xhenet me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij. Kjo sepse ajo vepër e mirë që ai ka kryer nuk i është bërë e mundur vetëm se me lehtësimin që i ka bërë Allahu i Madhëruar atij dhe nëse nuk do t’ia kishte lehtësuar Allahu dhe nëse nuk do t’a kishte udhëzuar për atë vepër, ai kurrë nuk do të ishte udhëzuar.

Allahu i Lartësuar thotë:

“…Dhe po të mos kishte qenë Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju, asnjë prej jush nuk do të kishte qenë kurrë ndonjëherë i pastër prej gjynaheve, por Allahu pastron (udhëzon në Islam) atë që Ai do dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.” [En Nur: 21].

***

Çdo krijesë e ka fundin (vdekjen) të përcaktuar

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se Allahu i Madhëruar ia ka caktuar vdekjen dhe fundin çdo krijese (në kohë dhe vend, të cilin nuk e di askush përveç Allahut dhe që nuk shtyhet e as nuk tërhiqet para kohës së vet) dhe askush nuk vdes vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar. Kur të mbarojë koha e dikujt, nuk ngel veçse vdekja prej të cilës nuk ka shpëtim.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Çdo popullsi ka një kohë të përcaktuar dhe kur vjen ky çast, ata as nuk mund ta vonojnë atë qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta përparojnë atë.” [El A’raf: 34].

“Dhe askush nuk mund të vdesë vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar.” [Al Imran: 145].

Ata besojnë gjithashtu se ai që vdes apo vritet, kjo do të thotë që i ka mbaruar afati i përcaktuar i tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata për të cilët ishte përcaktuar vdekja, padyshim që do të ishin drejtuar vetë te vendi i përcaktuar për vdekjen e tyre!” [Al Imran: 154].

“Kudo që ju të jeni, vdekja do t’iu gjejë, edhe sikur të jeni në kështjella të fortifikuara!” [En Nisa: 78].


[1] Ai është Talha ibën Ubejdilah ibën Uthman ibën Amër el Kurashi et Tejmij, një nga gjashtë anëtarët e marrëveshjes për paqe ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës dhe një nga pesë të cilët u bënë musliman për shkak të Ebu Bekrit. Prezentoi në luftën e Uhudit dhe tregoi trimëri. U godit me një shigjetë në ditën e luftës së Xhemelit dhe vdiq në vitin 36 h. në moshën 64 vjeç.

[2] Ai është ez Zubejr ibën el Auam ibën Huejlid ibën Esed el Kurashi, Ebu Abdullahi, nga të afërmit e të Dërguarit të Allahut dhe djali i hallës së tij. Një nga gjashtë anëtarët e shuras (konsultës). Ka hyrë në Islam që në moshë të vogël dhe ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet (në Habeshe dhe në Medime). Është vrarë në luftën e Xhemelit në vitin 36 h. dhe është varrosur në Basra.

[3] Ai është Abdurrahman ibën Auf ibën Abdu Auf ibën Abdul Harith el Kurashi ez Zuhri, Ebu Muhamed. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka hyrë herët në Islam, para se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të hynte në shtëpinë e Erkamit. Ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Vdiq në vitin 32 h. në moshën 72 vjeç.

[4] Ai është Sead ibën Malik ibën Uhejb el Kurashi, ez Zuhri, Ebu Is’hak ibën Ebi Uekas. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka transmetuar shumë Hadithe nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ka qenë një prej kalorësve më të mirë dhe i pari që ka gjuajtur me shigjetë në Rrugë të Allahut. Ka qenë koka që hapi Irakun dhe ishte i njohur për pranimin e duasë që ai bënte. Ka vdekur në el Akik, në vitin 55 h. dhe u transportua në Medineh. Ai ka qenë i fundit që ndërroi jetë nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet.

[5] Ai është Seid ibën Zejd ibën Amër ibën Nufejl el Adavi. Një nga të parët e Islamit dhe para shtëpisë së Erkamit. Ka bërë shpërnguljen në Medine dhe ka marrë pjesë në luftën e Uhudit e në të tjerat pas saj. Nuk ka qenë në Medine në kohën e luftës së Bedrit dhe nuk ka marrë pjesë në të. Ka vdekur në el Akik në vitin 50 h. dhe thuhet pas këtij viti.

[6] Ai është Amir ibën Abdullah ibën El Xherrah ibën Hilal el Kurashi el Fehri, i njohur me kunjën e tij dhe me emrin e gjyshit të tij. Një prej të parëve në Islam. Ka bërë dy shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Ky është ai që hoqi dy ganxhat nga fytyra e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe që i ranë dy dhëmbë. Ka vdekur në vitin 18 h. në moshën 58 vjeç.

[7] Transmeton Tirmidhiu në El Xhami’, nga Abdurrahman ibën Auf (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Ebu Bekri do të hyjë në Xhenet. Umeri do të hyjë në Xhenet. Uthmani do të hyjë në Xhenet. Aliu do të hyjë në Xhenet. Talha do të hyjë në Xhenet. Ez Zubejr do të hyjë në Xhenet. Abdurrahman ibën Aufi do të hyjë në Xhenet. Seadi do të hyjë në Xhenet. Seidi do të hyjë në Xhenet dhe Ebu Ubejdeh ibën El-Xherrah do të hyjë në Xhenet.”

[8] E transmeton Muslimi.

[9] E transmeton Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[10] Kjo fjalë e sahabeve është  në librin “Fikhu i madh” i Ebu Hanifes.

[11] Rafiditë apo refuzuesit janë një prej 72 grupeve të humbura dhe janë quajtur me këtë emër për shkak të refuzimit të tyre udhëheqjen e Ebu Bekrit dhe të Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Dhe thuhet: për shkak të refuzimit të tyre Zejd ibën Ali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), duke e sharë për dhënien besës Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe për pranimin e tyre si prijësa të besimtarëve. Zejdi ka thënë: Më refuzuan mua dhe kështu u quajtën rafidi. Ata u quajtën gjithashtu “Shij’ah” atëherë kur thanë: Ne jemi ithtarë të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por disa prej tyre thanë të pavërtetën për të dhe e tepruan në lavdërimin e tij duke thënë se ai është zot, apo i dërguar nga Zoti. Disa prej tyre i vrau vetë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  në kohën e sundimit të tij dhe disa të tjerë i dogji. Disa prej tyre mohojnë edhe Ditën e Llogarisë. Ata besojnë se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë testament të shkruar se Aliu do të jetë zëvendës i tij pas vdekjes së tij dhe se çështja e udhëheqjes nuk mund të jetë vetëm se me shpallje nga Allahu. Prijësit sipas atyre, janë të pagabueshëm dhe larg gjynaheve të mëdha e të vogla dhe se Ebu Bekri dhe Umeri janë të mallkuar…etj. Marrë nga libri “El Burhan” i Es Sekseki dhe “Mekalat El Islamijine”.

[12] Fjalia e parë e Hadithit transmetohet në dy sahihat e Buhariut dhe të Muslimit, si dhe në libra të tjerë. Ndërsa pjesën e dytë e transmeton Ebu Asim në librin “Es Suneh” dhe Taberani në “El Eusat” me shprehje të përafërt.

[13] E transmeton Tirmidhiu dhe imam Ahmedi.