Besimi në Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij, qoftë për të mirë apo për të keq

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


Pasuesit e Sunetit dëshmojnë dhe besojnë se e mira dhe e keqja, dobia dhe dëmi janë me Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij. Ai caktim nuk kthehet, nuk mund t’i shpëtosh dhe nuk mund t’i shmangesh. Njeriun nuk e gjen veçse ajo që Zoti i tij ka shkruar për të. Nëse të gjithë njerëzit do të përpiqeshin që t’i bënin dikujt një të mirë të cilën nuk e ka shkruar Allahu për të, ata nuk do të mund t’a bënin atë dhe nëse do të përpiqeshin t’i bënin një të keqe të cilën Allahu nuk e ka caktuar për të, ata nuk do të mundeshin.

Për këtë argumenton Hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).[1]

Argumenton gjithashtu Fjala e Allahut të Lartësuar:

“Nëse Allahu do të të sprovonte me ndonjë të keqe, atëherë s’ka kush që e heq atë përveç Atij dhe nëse do për ty ndonjë të mirë, s’ka kush që e kthen atë.” [Junus: 107].

***

E keqja nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar

Prej besimit dhe drejtimit të pasuesëve të Sunetit, bashkë me fjalën e tyre se e mira dhe e keqja janë nga Allahu dhe me përcaktimin e Tij, ata thonë se nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar diçka që është e ulët apo e mangët në vetevete. P.sh. Nuk thuhet: O krijuesi i majmunit dhe derrit! Edhe pse nuk ka krijesë që Allahu të mos jetë Krijuesi i saj.

Në këtë kuptim ka ardhur edhe fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në duanë e hapjes së namazit:

“I Madhëruar dhe i Lartësuar qofsh Ti! Ndërsa e keqja nuk të ngjitet Ty.”[2]

Kuptimi i këtij Hadithit është: E keqja nuk është prej gjërave që të mvishen Ty, qoftë e drejtpërdrejtë apo në lutje. Kështu që nuk lejohet që në lutje të thuhet: “O Krijuesi i së keqes! O Përcaktuesi i së keqes!” Edhe pse Ai është Krijuesi dhe Përcaktuesi i të dyja atyre.

Për këtë shkak, El Hidri (alejhi selam) e ka ngjitur dashjen e dëmtimit (të anijes) te vetja e tij, duke thënë:

“Ndërsa anija ka qenë e disa varfanjakëve të cilët punonin në det dhe unë doja t’a dëmtoja atë…” [El Kehf: 79].

Ndërsa kur përmendi të mirën, mirësinë dhe mëshirën, ai ia ngjiti dashjen e tyre  Allahut të Madhëruar, duke thënë:

“Dhe Zoti yt deshi që të arrinin pjekurinë e tyre (të rriteshin) dhe pastaj t’a nxirrnin thesarin e tyre, nga Mëshira e Zotit tënd.” [El Kehf: 82].

Po ashtu thotë Allahu, kur tregon për Ibrahimin (alejhis selam) se ka thënë:

“Dhe kur unë sëmurem, Ai më shëron.” [Esh Shuara: 80].

Duke ia ngjitur kështu sëmundjen vetes së tij, kurse shërimin Zotit të tij, edhe pse që të dyja janë prej Zotit të tij.

***

Pohimi i Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut të Lartësuar

Prej besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit është se Allahu i Madhëruar është i Vullnetshëm për të gjitha punët e njerëzve, të mira apo të këqia qofshin ato[3] dhe askush nuk beson veçse me Dashjen e Tij.

Nëse Allahu do të donte, Ai do t’i bënte të gjithë njerëzit një grup të vetëm (besimtarë) dhe nëse do të donte që të mos i thyhej urdhëri, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin[4] për shkak të të cilit mohuan mosbesimtarët.

Edhe besimi i besimtarëve është sipas caktimit të Allahut dhe përcaktimit të Tij, me Vullnetin dhe Dëshirën e Tij. Ai i ka dashur të gjitha këto me Vullnetin e Tij dhe i ka përcaktuar ato.

***

Allahu i Lartësuar kënaqet për besimin e njerëzve dhe e urren mosbesimin e tyre

Allahu kënaqet për besimin e njerëzve dhe bindjen e tyre ndaj Tij, dhe e urren mosbesimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse ju mohoni Allahun, Allahu nuk ka ndonjë nevojë për ju edhe pse nuk e pëlqen për robërit e Tij mosbesimin. E nëse ju e falenderoni Atë, Ai e pëlqen këtë prej jush!” [Ez Zumer: 7].

***

Nuk gjykohet për një person të veçantë se ai është prej banorëve të Xhenetit apo të Xhehenemit (përveç atyre për të cilët ka dëshmuar Allahu dhe i Dërguari i Tij)

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se përfundimet dhe mbylljet e jetës së njerëzve janë enigmë dhe askush nuk e di se si do të mbyllen ato. Ata nuk gjykojnë për një person të veçantë, se ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit apo për një tjetër se do të jetë prej banorëve të Zjarrit, sepse kjo është diçka e fshehtë dhe ata nuk e dinë se si do të vdesë dikush (besimtar apo jobesimtar).

Për këtë shkak, ata thonë: “Ne jemi besimtarë InshaAllahu”, d.m.th. prej besimtarëve të cilëve do t’u mbyllet jeta në këtë botë me besim InshaAllah!

***

Kush vdes musliman, e ardhmja e tij është Xheneti

Ata dëshmojnë për atë që vdes musliman, se e ardhmja e tij do të jetë Xheneti dhe se ata të cilëve u është shkruar përcaktimi nga Allahu, ata do të dënohen me Zjarr një farë kohe të caktuar për shkak të gjynaheve që kanë bërë dhe për të cilat nuk kanë kërkuar falje e pendim, por në fund ata do të kthehen në Xhenet dhe askush prej muslimanëve nuk do të mbetet në Zjarr, prej Mirësisë së Allahut dhe Dhurimit të Tij.

***

Kush vdes mosbesimtar, do të jetë përgjithmonë në Zjarr

Kush vdes duke qenë mosbesimtar –Allahu na ruajtë!-, kthimi i tij është në Zjarr prej të cilit nuk do të shpëtojë dhe qëndrimi i tij në të është i pafund!

***

Ne dëshmojmë se do të jetë në Xhenet, ai për të cilin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka dëshmuar këtë

Ata persona të veçantë prej sahabeve, për të cilët i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka dëshmuar se do të jenë në Xhenet, për ta dëshmojnë edhe dijetarët e Hadithit si vërtetim të fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që ka thënë dhe u ka premtuar atyre (sahabeve). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka dëshmuar për ta se do të jenë në Xhenet, vetëm pasi që e njohu këtë gjë dhe Allahu i Lartësuar i ka treguar të Dërguarit të Tij ç’të donte prej të fshehtës.

Këtë gjë e sqaron Fjala e Allahut të Lartësuar që thotë:

“Ai është i Dituri i të fshehtës të cilën nuk ia tregon askujt, përveç ndokujt që do prej të Dërguarëve të Tij.” [El Xhin: 26].


[1] Është përcjellë nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Një ditë isha pas të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai më: “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë. Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty. Ruaje Allahun dhe ke për t’a gjetur në anën tënde. Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje prej Allahut. Dije se, sikur i gjithë populli të bashkohej për të të sjellë ty një të mirë, nuk do të munden të bëjnë veçse atë që Allahu e ka shkruar që më parë për ty, e nëse do të bashkoheshin për të të shkaktuar një dëm, nuk do të mundnin të shkaktonin veçse atë që Allahu ka shkruar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.” [Këtë Hadith e ka transmetuar Tirmidhiu, i cili ka thënë se ai është Hasen Sahih, dhe Ahmedi].

[2] Kjo pjesë e Hadithit të duasë së hapjes së namazit ndodhet te Muslimi.

[3] Me këtë vullnet është për qëllim vullneti i krijimit të çdo gjëje dhe të përcaktimit të tyre sipas Dëshirës së Allahut të Madhëruar dhe nuk është për qëllim vullneti i ligjeve të Fesë e të sheriatit i cili lidhet me dashjen dhe pëlqimin e Allahut.

[4] Imam Ahmedi, në librin “Es Suneh”, transmeton nga Umer ibën Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë!), se ai ka thënë: “Nëse Allahu do të donte që të mos kundërshtohej, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin”. Pastaj lexoi Fjalën e Allahut: “Ju nuk mundeni të largoni besimtarët nga Rruga e Allahut,  përveç atyre që janë përcaktuar të digjen në Xhehenem!” [Es Safat: 62-63].