Cytja e shejtanëve dhe ndikimi i tyre… Gjykimi për Magjistarin
Nga libri: AKIDEJA E SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT
Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)
Përktheu: Bledar Albani
Ata (Selefët dhe dijetarët e Hadithit) besojnë se Allahu i Lartësuar i ka krijuar shejtanët dhe ata i bëjnë cytje njerëzve me qëllim që t’i nxjerrin nga rruga e drejta, duke u qëndruar në pritë atyre.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe vërtet që shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre nga mesi i njerëzve që t’ju kundërshtojnë juve dhe po t’u bindeni atyre, atëherë padyshim që do të ishit idhujtarë!” [El En’am: 121].
Allahu i Lartësuar u lë shejtanëve pushtet mbi kë të dojë dhe ruan prej kurtheve e sherreve të tyre atë që Ai do.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe shqetësoji (të nxituarit e mendjelehtit) vazhdimisht, ata që të mundesh nga mesi i tyre (pasardhësve të Ademit) me zërin tënd (duke u pëshpëritur ose duke u bërë vesvese me këngë, muzikë etj.). Sulmoji ata me kalorësinë e këmbësorinë tënde (me të gjitha mjetet e mënyrat)! Ndaji me ta pasuritë e fëmijët (me rrugë të palejuara) dhe bëju atyre edhe premtime. Por shejtani nuk u premton atyre asgjë, veçse mashtrim.
Sa për robët e Mi (besimtarët e Mi të vërtetë), ti nuk ke asnjë fuqi mbi ta. Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt si Rregullues e Mbikqyrës.” [El Isra: 64-65].
“Vërtet që ai nuk ka aspak fuqi mbi ata që besojnë e mbështeten vetëm te Zoti i tyre.
Fuqia e tij (shejtanit) është vetëm mbi ata të cilët i binden dhe e ndjekin atë (shejtanin) dhe mbi ata të cilët i vënë shok Allahut!” [En Nahl: 99-100].
***
Magjia nuk bën dëm veçse me Lejen e Allahut
Pasuesit e Sunetit dëshmojnë se në tokë ekziston magjia dhe magjistarët, por ata nuk i bëjnë ndokujt keq veçse me Lejen e Allahut:
“…Dhe ata nuk munden të dëmtojnë askënd me të (magjinë) veçse me Lejen e Allahut!” [El Bekare: 102].
Gjykimi për Magjistarin
Ai që e mëson magjinë dhe e praktikon atë, duke besuar se ajo bën dëm apo dobi pa Lejen e Allahut, ai ka dalë nga feja dhe është kafir.
Nëse ai pyetet dhe në përshkrimin e tij del se ajo që bën është kufër, atëherë afatizohet për t’u penduar dhe nëse nuk pendohet, atëherë i pritet koka.
Por nëse pasi pyetet, ai përshkruan diçka që nuk është kufër, apo se flet me gjëra që as ai vetë nuk i kupton, atëherë pengohet nga kjo gjë dhe nëse e kryen përsëri, atëherë dënohet me kamzhik apo burgim.
Nëse thotë se magjia nuk është haram dhe unë besoj se ajo është e lejuar, atëherë bëhet e detyrueshme vrasja e tij, sepse ai ka bërë të lejuar diçka për të cilën janë bashkuar të gjithë muslimanët se ajo është e ndaluar.
***
Çdo pije dehëse është haram
Dijetarët e Hadithit e konsiderojnë të ndaluar çdo pije që të deh, qoftë ajo e marrë nga rrushi, apo rrushi i thatë, hurma, mjalti, misri, apo çdo lloj bime tjetër.
Ata e konsiderojnë të ndaluar pijen dehëse qoftë ajo shumë apo pak, e konsiderojnë atë të papastër dhe e dënojnë me shkopinj pirësin e saj.
***
Përkujdesja për kryerjen e faljeve të obligueshme
Ata e shohin të obligueshme nxitimin për kryerjen e faljeve dhe se falja në fillim të kohës së caktuar është më mirë se në mbarim të saj.
Ata e konsiderojnë të obligueshme leximin e sures el Fatiha pas imamit në namaz.[1]
Ata urdhërojnë që të plotësohet rukuja (përulja) dhe sexhdeja. Ata e konsiderojnë plotësimin e rukusë dhe të sexhdes me qetësi, ngritjen nga rukuja dhe qëndrimin drejt pas saj me qetësi, ngritjen prej sexhdes dhe qëndrimin mes dy sexhdeve me qetësi, të gjitha këto i konsiderojnë prej shtyllave (rukneve) të namazit pa të cilat ai nuk mund të jetë i saktë.
***
Këshillimi për të vepruar mirë
Ata këshillojnë njëri-tjetrin për falje natën, pasi të kenë fjetur një pjesë të saj, për ruajtjen e lidhjeve farefisnore, për përhapjen e selamit (përshëndetjes), të ushqyerit e të varfërit, mëshirimin e fukarenjve e jetimëve, preokupimin për çështjet e muslimanëve, për mbajtjen e të mesmes në të ngrënë e të pirë, në martesë e në veshmbathje, për bamirësi, për urdhërim për të mira dhe ndalim nga e keqja, për shpejtimin në çdo lloj pune të mirë dhe ruajtjen prej përfundimit të keq të lakmisë.
Ata këshillojnë njëri-tjetrin për të Vërtetën dhe për durim.
***
Dashuria dhe urrejtja për çështjen e Fesë
Dijetarët e Hadithit e duan njëri-tjetrin për shkak të Fesë dhe urrejnë po për shkak të saj. Ata i ruhen polemikës në lidhje me Allahun (Cilësitë e Tij) dhe mënjanohen nga ndjekësit e bidateve e humbjeve, si dhe i urrejnë ndjekësit e dëshirave dhe injorancës.
Ata ecin sipas shembullit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe rrugës së shokëve të tij, të cilët janë si yjet dhe me cilindo që të shëmbëllohesh prej tyre, je i drejtëudhëzuar, ashtu siç thoshte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për ta.[2]
Ata marrin për shembull të tyre selefët (të parët) e mirë të këtij populli, prej prijësave të Fesë dhe dijetarëve të muslimanëve, si dhe kapen për atë me të cilën ishin kapur prej Fesë së fortë dhe të Vërtetës së qartë.
[1] Obligueshmëria e leximit të Fatihasë pas imamit në të gjitha rastet është fjala e imam Shafiut në medh’hebin e ri si dhe e një grupi bashkë me të. Ndërsa fjala e shumicës së dijetarëve është se leximi i saj është i obligueshëm në namazet pa zë dhe në rastet kur imami qëndron dhe nuk lexon, kurse të lexuarit e Fatihasë në kohën kur imami lexon në namazet me zë, kjo është e papëlqyer (mekruh).
[2] Ky Hadith që ka përmendur autori është i dobët dhe nuk vlen për t’u argumentuar me të.