Urrejtja e pasuesëve të bidatit dhe mosqëndrimi me ta

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


Pasuesit e Hadithit i urrejnë bidatçinjtë, të cilët kanë shpikur në Fe gjëra që nuk janë prej saj, nuk i duan ata, nuk i shoqërojnë ata, nuk i dëgjojnë fjalët e tyre, nuk ulen me ta, nuk polemizojnë me ta për Fenë dhe as nuk debatojnë me ta, por shohin të obligueshëm ruajtjen e veshëve nga të dëgjuarit e të kotave të tyre të cilat nëse kalojnë nëpër veshë dhe qëndrojnë në zemër, të dëmtojnë dhe të fusin vesvese e mendime të prishura.

Pikërisht për këtë, Allahu i Madhëruar ka zbritur Fjalën e Tij ku thotë:

“Dhe kur ti i sheh ata të cilët zihen në biseda boshe për Vargjet Tona të Kuranit duke i përqeshur ato, rri larg prej tyre deri sa të kalojnë në një çështje tjetër!” [El En’am: 68].

***

Shenjat e bidatçinjëve

Shenjat e bidatit janë të qarta e të dukshme te pasuesit e tij, por shenja dhe argumenti më i qartë për njohjen e tyre është urrejtja e fortë që ata kanë për mbartësit dhe përcjellësit e njoftimeve (Haditheve) të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), përçmimi i tyre dhe quajtja e tyre si të pavlerë, injorantë, dhahirij (sipërfaqësorë), krahasues (të Allahut me krijesat) etj. Kjo, duke qenë gjithashtu të bindur se njoftimet e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë të zhveshura nga shkenca dhe se dija e vërtetë është ajo që shejtani ua frymëzon atyre prej përfundimeve të nxjerra nga mendjet e tyre të prishura, vesveseve të errëta të gjokseve të tyre, iluzioneve të zemrave të tyre në të cilat nuk ka pikë të mire, si dhe argumentet, apo më mirë dyshimet e tyre boshe dhe të kota:

“Ata janë ata të cilët i ka mallkuar Allahu, i ka bërë të shurdhër dhe i ka marrë shikimet e tyre.” [Muhamed: 23].

“Dhe atë që përçmon e turpëron Allahu, askush nuk mund ta nderojë. Sigurisht që Allahu bën çfarë Ai do.” [El Haxh: 18].

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar hafiz Ebu Ali el Husejn ibën Ali të thotë: Kam dëgjuar Xheafer ibën Ahmed ibën Senan el Vasiti të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Senan el Katan të thotë:

“Nuk ka bidatçi në botë që të mos i urrejë pasuesit e sunetit. Nëse dikush bën bidate, ëmbëlsia e Hadithit del nga zemra e tij.”[1]

Kam dëgjuar el Hakim të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Husejn Muhamed ibën Ahmed el Handhali, në Bagdad të thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Ismail  et Tirmidhi të thotë: Unë dhe Ahmed ibën el Hasen et Tirmidhi shkuam te imami i fesë, Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel. Ahmed ibën el Hasen i tha atij: O Ebu Abdullah! Njerëzit në Mekë përmendën pasuesit e Hadithit para Ibën Ebi Kutejle dhe ai tha: Ndjekësit e Hadithit janë njerëz të këqinj.

Atëherë Ahmed ibën Hanbel u ngrit duke shtrënguar rroben e tij dhe tha: “Ai është zindik (qafir që nuk beson Botën tjetër dhe as Krijuesin)! Ai është zindik! Ai është zindik! Deri sa hyri në shtëpi.”[2]

Kam dëgjuar gjithashtu El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Nasr Ahmed ibën Sehl, fakihun (dijetarin e fikhut), në Buhara të thotë: Kam dëgjuar fakih Ebu Nasr ibën Selam të thotë:

“Nuk ka gjë më të rëndë dhe më të urryer për mosbesimtarët dhe ateistët, se dëgjimi i Hadithit dhe përcjellja e tij me zinxhir transmetuesish.”[3]

Kam dëgjuar El Hakim të thotë: Kam dëgjuar shejh Ebu Bekër Ahmed ibën Is’hak ibën Ejub, i cili ishte duke diskutuar me një burrë dhe i tha atij: “Na ka treguar filani…”, por ai burri e preu dhe i tha: Lëre këtë “na ka treguar…” dhe deri kur të vazhdoni të thoni “na ka treguar…”.

Atëherë shejhu i tha atij: Ngrihu ore qafir! Nuk të lejohet ty të hysh më në shtëpinë time, pas kësaj dite. Pastaj u drejtua nga ne dhe tha: Askujt nuk i kam thënë kurrë që të mos hyjë në shtëpinë time, përveç këtij.”[4]

Kam dëgjuar profesor Ebu Mensur Muhamed ibën Abdullah Hamshad, dijetarin e devotshëm, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Kasim Xheafer ibën Ahmed El Mukirri er Razi të thotë: Dikush lexoi para Abdurrahman ibën Ebi Hatim er Razi dhe unë dëgjoja: Kam dëgjuar babanë tim (kishte për qëllim imamin e qytetit të tij, babanë e tij, Ebu Hatim Muhamed ibën Idris el Handhali), të thotë:

“Shenja bidatçinjve është të folurit keq për ndjekësit e gjurmëve të të Dërguarit dhe shokëve të tij[5].

Shenja e zindikëve është emërtimi i ndjekësve të sunetit si të pavlefshëm, duke pasur për qëllim me këtë gjë zhdukjen e Haditheve dhe thënieve të Sahabeve.

Shenja e Kaderive[6] është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “muxhbira”[7].

Shenja e Xhehmive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “krahasues”.

Shenja e Rafidive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “Nabiteh” (të sapolindur, të vegjël) dhe “Nasibeh” (ata që urrejnë Ali ibën Ebi Talib dhe Ehli bejtin –familjen e të Dërguarit- dhe që nuk i duan ata, madje i quajnë mosbesimtarë e mëkatarë, siç janë Havarixhët).”

Them (autori): Të gjitha këto janë partishmëri, ndërsa pasuesëve të sunetit nuk i mvishet veçse një emër i vetëm dhe ai është “Pasuesit e Hadithit”.

***

Bidatçinjtë kanë ndjekur të njëjtën rrugë që kanë ndjekur edhe mushrikët në llagabet që u mveshin pasuesëve të Sunetit

Them: Unë i kam gjetur bidatçinjtë, që në këto emërtime me të cilat kanë quajtur pasuesit e Sunetit, të kenë ndjekur rrugën dhe mënyrën e mushrikëve me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata shpeshherë i ndërronin emërtimet për të: disa prej tyre e quanin magjistar, të tjerë fallxhor, të tjerë poet, disa e quanin të çmendur, përçarës, shpifës, trillues e gënjeshtar. Ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte larg dhe i pastër nga të gjitha ato mangësi dhe nuk ka qenë veçse i Dërguar, i zgjedhur dhe Lajmëtar i Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Shih se çfarë krahasimesh të mveshin ty! Kështu pra, ata kanë dalë në të gabuarën dhe kurrë më nuk gjejnë dot rrugë.” [El Isra: 48 dhe El Furkan: 9].

Po kështu edhe bidatçinjtë (Allahu i përçmoftë!), kanë thënë fjalë dhe emërtime të ndryshme për mbartësit e Haditheve të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për përcjellësit dhe transmetuesit e tyre të cilët marrin për shembull Sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke i quajtur disa prej tyre “hashavije-të pavlerë”, të tjerë i quajtën “krahasues”, “të vegjël”, “armiq të Aliut” etj.

***

Pasuesit e Hadithit janë të pastër nga ajo me të cilën akuzohen

Pasuesit e Hadithit janë larg këtyre të metave, të pastër e të ruajtur dhe nuk janë veçse ndjekës së Sunetit të pavdekshëm, të rrugës së kënaqshme, të rrugës së drejtë dhe të argumenteve të forta e bindëse. Allahu u ka dhënë sukses atyre në ndjekjen e Librit të Tij, Shpalljes dhe Urdhërit të Tij, si dhe në shëmbëllimin me të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në fjalët e tij me të cilat ai urdhëroi popullin e tij për vepra dhe fjalë të mira dhe e ndaloi atë nga të këqiat. I ndihmoi ata për të ndjekur rrugën e tij dhe për drejtëudhëzimin me shtrëngimin pas Sunetit të tij. Ai i hapi gjokset e tyre për t’a dashur atë dhe për të dashur prijesat e Fesë së tij dhe dijetarët e popullit të tij.

Dhe ai që e do një popull, ai është prej tyre në Ditën e Kijametit, sipas gjykimit të fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë:

“Njeriu (në Botën tjetër) do të jetë me atë që do.”[8]


[1] E ka nxjerrë el Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe el Bagdadi, në librin “Nderi dhe respekti i dijetarëve të Hadithit”.

[2] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[3] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[4] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit”.

[5] Es Sefarijni, në librin “Shkëlqimi i dritave të shndritshme” thotë: “Pasuesit e gjurmëve (ehlul ether) janë ata të cilët e marrin akiden e tyre nga ajo që ka zbritur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në atë që ka ardhur e është e saktë nga Selefët e mirë prej Sahabeve të ndershëm dhe Tabiinëve, duke hedhur tutje plehrat e ndjekësve të dëshirave e të bidatit, si dhe krundet (fundurinat) e ndjekësve të filozofisë.

[6] Kaderijet janë ata që e mohojnë kaderin (caktimin e Allahut), emërtim i cili është bërë i njohur edhe për Mu’tezilitë, sepse ata pretendojnë se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka caktuar  asgjë.

[7] Rrënja e kësaj fjale është el Xhebër që do të thotë: Mohimi i kryerjes së veprës nga njeriu në të vërtetë dhe mveshja e saj Allahut të Lartësuar. Xheberiet janë një prej grupeve të humbura që thonë se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe se nuk mund të zgjedhë gjë përveç asaj që i është shkruar nga Allahu. Këta janë në vetvete grupe të shumta. Më tepruesit e tyre janë ata që thonë se njeriu nuk bën asnjë vepër dhe nuk ka fuqi të bëjë asgjë, por Ai që bën në të vërtetë, sipas këtyre, është    Allahu. Këta janë ndjekësit e Xhehëm ibën Safvan. Disa të tjerë që mund të konsiderohen të mesëm të tyre, thonë se njeriu ka njëfarë fuqie por pa ndikim.[Marrë nga libri “El Milel uen-Nihal” i esh Shehrastanit].

[8] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.