Prej shenjave të pasuesëve të Sunetit është dashuria për dijetarët e Hadithit dhe pasuesit e tij

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


Një nga shenjat e Ehli Sunetit është dashuria e tyre për imamët e Sunetit,  dijetarët e tij, ndjekësit dhe ithtarët e tij, si dhe urrejtja për prijësat e bidatit të cilët thërrasin për në Zjarr dhe i drejtojnë pasuesit e tyre për në banesën e shkatërrimit (Xhehenem).

Allahu i Lartësuar i ka zbukuruar zemrat e ndjekësve të Sunetit dhe i ka ndriçuar ato me dashurinë për dijetarët e Sunetit, si Mirësi dhe Dhuratë prej Tij.

Na ka treguar hafiz el Hakim Ebu Abdullah (Allahu e fustë në Xhenet atë dhe neve!): Na ka treguar Muhamed ibën Ibrahim ibën el Fadl el Mezki: Na ka treguar Ahmed ibën Selemeh: Ebu Raxha Kutejbeh ibën Seid lexoi para nesh librin e tij “El Iman”-Besimi, në fund të të cilit thoshte:

“Nëse sheh dikënd që e do Sufjan eth Theurin, Malik ibën Enesin, el Euzain, Shu’ben, Ibën el Mubarek, Ebu el Ahvas, Sherikun, Vekij’, Jahja ibën Seidin dhe Abdurrahman ibën Mehdiun, dije se ai është ndjekës i Sunetit.”

Ahmed ibën Selemeh thotë: Unë shtova me shkrimin tim poshtë të tijit: Jahja ibën Jahja, Ahmed ibën Hanbel dhe Is’hak ibën Rahavejh.

Kur ai arriti te ky vend në libër, vështroi te ne, banorët e Nisaburit dhe tha:

– Këta njerëz anojnë shumë nga Jahja ibën Jahja.

– Atëherë ne i thamë: O Ebu Raxha’! Si është Jahja ibën Jahja?

– Ai tha: Njeri i mirë dhe prijës i muslimanëve. Po ashtu edhe Is’hak ibën Ibrahim është prijës i muslimanëve. Ndërsa Ahmed ibën Hanbel është më i madh nga të gjithë ata që përmende.

Ndërsa unë (autori) i bashkangjita atyre që përmendi Kutejbe (Allahu e mëshiroftë!), duke u nisur nga parrulla: “Kush i do ata, ai është ndjekës i Sunetit”, unë shtova një grup tjetër prej prijësave të dijetarëve të Hadithit të cilët merren për shembull, në rrugën e të cilëve je i udhëzuar dhe të cilët janë prej grupit të tyre, prej pasuesëve dhe prej ithtarëve të tyre, ndjekës seriozë të gjurmëve të tyre.

Prej tyre janë:

Muhamed ibën Idris esh Shafii el Matlibi, imami i paraprirë, zotëriu i madh, dhuruesi i madh për ndjekësit e Islamit dhe të Sunetit, i sakti në gjykime, i inspiruari dhe mësonjësi. Ai i cili ka punuar në Fenë e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke i ndihmuar dhe pastruar ato nga shpifjet e të paqënat, atë punë që nuk e ka bërë kush tjetër prej dijetarëve të kohës së tij dhe as pas atyre.

Prej atyre të cilët kanë qenë para Shafiut (Allahu e mëshiroftë!) po kujtoj Seid ibën Xhubejr, Ez Zuhri, Esh Sheabij dhe Et Tejmij.

Ndërsa pas tyre ka qenë: El Lejth ibën Sead, El Euzai, Eth Theuri, Sufjan ibën Ujejneh el Hilali, Hamad ibën Selemeh, Hamad ibën Zejd, Junus ibën Abid, Ejubi, Ibën Auni dhe shokët e tyre.

Pas tyre vjen: Jezid ibën Harun, Abdurrazak dhe Xherir ibën Abdulhamid.

Pas tyre vjen: Muhamed ibën Jahja edh Dhehli, Muhamed ibën Ismail el Buhari, Muslim ibën el Haxhaxh el Kashijri, Ebu Daud es Sixhistani, Ebu Zur’ah er Razi, Ebu Hatim dhe i biri i tij, Muhamed ibën Muslim ibën Uarah, Muhamed ibën Eslem et Tusi, Uthman ibën Seid ed Darimi, Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh, i cili quhej prijësi i prijësave dhe pasha Allahun që ai ka qenë i tillë në kohën e tij, Ebu Jakub Is’hak ibën Ismail el Busti, dy gjyshat e mi para dy baballarëve të mi: Ebu Seid Jahja ibën Mensur el Heravi, Udej ibën Hamdavejh es Sabuni dhe dy djemtë e tij, dy shpata të Sunetit: Ebu Abdullah es Sabuni dhe Ebu Abdurrahman es Sabuni.

E shumë të tjerë prej imamëve të Sunetit të cilët kanë qenë të kapur për të, punonin për përhapjen e tij, thërrisnin në të dhe ua mësonin atë njerëzve.

Këto rreshta që shkrova në këto fletë kanë qenë besimi i të gjithëve atyre, nga i cili nuk ndryshon asnjë prej tyre, por janë bashkuar të gjithë në të dhe kanë rënë dakord të gjithë për nënshtrimin e ndjekësve të bidatit, për përçmimin dhe talljen e tyre, për largimin dhe dëbimin e tyre, për qëndrimin larg tyre, për mosshoqërimin e mosjetesën me ta dhe se duke i prerë lidhjet dhe fjalët me ta, afrohesh te Allahu i Lartësuar.

Profesori dhe imami -është për qëllim autori- (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Edhe unë, falë Mirësisë së Allahut të Madhëruar, ndjek gjurmët e tyre, ndriçohem me dritën e tyre dhe këshilloj vëllezërit dhe shokët e mi që të mos rrëshqasin nga ndriçimi i tyre dhe të mos ndjekin tjetër përveç fjalëve të tyre. Mos të humbasin kohën me ato bidate të shpikura të cilat janë përhapur në mesin e muslimanëve dhe nga të cilat sikur të ishte shfaqur qoftë edhe një prej tyre në kohën e atyre prijësave, ata do t’a kishin quajtur bidatçi, do t’i prisnin lidhjet me të, do t’a përgënjeshtronin dhe do t’i ktheheshin atij me të gjitha të këqiat dhe të papëlqyerat.

Vëllezërit e mi! Mos t’iu mashtrojë juve numri madh i bidatçinjëve, sepse kjo është prej shenjave të afrimit të Kijametit, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

“Prej shenjave të Kijametit dhe afrimit të tij është  pakësimi i dijes dhe shtuarja e injorancës.”[1]

“Dija”, në këtë Hadith, është Suneti, kurse “injoranca” është bidati.

Ai që kapet sot për Sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe punon sipas tij me qëndrueshmëri, pastaj thërret të tjerët në të, shpërblimi i tij është më i madh dhe më i lartë se i atyre që kanë ndjekur këtë rrugë në fillimet e Islamit, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë:

“Ai ka shpërblimin e pesëdhjetë muslimanëve.”

– Dikush tha: Shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre (të kohës së tij)?

– Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo, por sa pesëdhjetë prej jush!”[2]

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e ka thënë këtë, për atë që punon sipas Sunetit të tij në kohën kur populli të jetë prishur.

Kam gjetur të shkruar në një libër të gjyshit tim, imam Ebu Abdullah Muhamed ibën Udej ibën Hamdavejh es Sabuni (Allahu e mëshiroftë!): Na ka treguar Ebu el Abas el Hasen ibën Sufjan en Nesevi, se el Abas ibën Sabih u ka thënë: Na ka treguar Abdulxhebar ibën Medhahir: Më ka treguar Meamar ibën Rashid: Kam dëgjuar Ibën Shihab ez Zuhri të thotë:

“Të mësuarit e një Suneti është më i mirë se të bësh adhurim dyqind vjet.”[3]

Na ka treguar Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Zekerija esh Shejbani: Na ka treguar Ebu el Abas Muhamed ibën Abdurrahman ed Deguli: Kam dëgjuar Muhamed ibën Hatim el Madhferi të thotë: Kam dëgjuar Amër ibën Muhamed të thotë: Ebu Muavije ed Darijr po i tregonte Harun er Rashid-it një Hadith nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!),  në të cilin thuhet:

“Po polemizonin Ademi dhe Musai…”[4]

– Isa ibën Xheafer tha: Si mund të ketë ndodhur kjo, kur dihet që ndërmjet Ademit dhe Musës është një kohë e gjatë?

– Atëherë Haruni iu hodh atij dhe tha:

“Ai të tregon për fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa ti e kundërshton atë duke pyetur “Si?”!

Vazhdoi t’ia përsëriste këtë, deri sa u qetësua.[5]

Obligueshmëria e dorëzimit para asaj, me të cilën ka ardhur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Kështu duhet për muslimanin, që t’a madhërojë njoftimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ta presë atë me pranim, dorëzim dhe besim.

Gjithashtu duhet që ta ndalojë rreptësisht atë që ndjek rrugë tjetër përveç kësaj rruge të cilën e ka ndjekur edhe Harun er Rashidi me shembullin e atij që e kundërshtoi njoftimin e saktë që dëgjoi, duke pyetur “Si?” dhe me qëllim që t’a mohojë një gjë të tillë dhe t’a quajë të pamundur, duke mos e pritur atë me pranim e dorëzim ashtu siç duhet pranuar çdo gjë që vjen nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Allahu i Madhëruar na bëftë prej atyre që e dëgjojnë Fjalën (Kuranin dhe Sunetin) dhe e ndjekin atë me të mirë, që kapen në jetën e tyre të kësaj bote për Kuranin dhe Sunetin!

Dhe na largoftë nga pasionet që të humbin, idetë boshe dhe të këqiat përçmuese, me Mirësinë dhe Dhurimin e Tij!

Ky është fundi i librit dhe Falenderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa Paqja dhe Mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), mbi shokët dhe familjen e tij.

Libri ka përfunduar më 17 Rexheb, të vitit 1297 h.


[1] E transmeton Buhariu, Muslimi etj.

[2] E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe ibën Maxheh.

[3] E ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi, në librin “Dhemul kelami ue ehlihi”.

[4] Ky Hadith është Muttefekun alejhi dhe Hadithi i plotë është: Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Po polemizonin Ademi dhe Musai. Musai tha: O Adem! Ti je babai ynë që na hoqe shpresat dhe na nxorre nga Xheneti. Ademi i tha atij: Ti je Musai që Allahu të ka veçuar me të Folurin e Tij dhe që të ka thurur planet me Dorën e Tij, a  po më qorton mua për një gjë, të cilën Allahu e ka caktuar dyzet vjet para se të më krijonte?

Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kështu që e mundi Ademi Musën, e mundi Ademi Musën!”

[5] Këtë histori të Harun er Rashid-it, e transmeton el Hatib el Bagdadi në “Tarihul Bagdad”.