Rruga e Pasuesve të Sunetit dhe Xhematit

Autor: Dijetari i madh Muhamed ibën Salih el UTHEJMIN

Përktheu: Bledar ALBANI


Hyrje

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, prej Tij kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. I kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e veteve tona dhe nga punët tona të këqija.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Allahu i Lartësuar e dërgoi atë para ndodhjes së kijametit, përgëzues dhe qortues, thirrës për tek Allahu me Lejen e Tij dhe pishtar ndriçues. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi mesazhin, e përmbushi amanetin, e këshilloi popullin dhe luftoi në Rrugën e Allahut me një xhihadi dhe përpjekje të vërtetë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit!

Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Jini të bindur (dhe mbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi ju prej një veteje (Ademit) dhe nga ajo Ai krijoi palën (bashkëshorten) e saj, dhe nga ata të dy Ai krijoi burra dhe gra të shumtë. Dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me barkun tuaj (të afërmit). Sigurisht që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi ju.” [En Nisa, 1].

Dhe thotë: “O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit a.s.), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhennetin e Begatshëm).” [El Ahzab, 70-71].

Cilët janë pasuesit e Sunetit dhe Xhematit dhe sqarimi i rrugës së tyre

Ehli Suneti, apo pasuesit e Sunetit dhe të xhematit janë ata të cilët i ka udhëzuar Allahu i Madhëruar në ato gjëra ku ka kundërshtim prej të vërtetës, me Lejen e Tij dhe Allahu udhëzon cilin të dojë në rrugën e drejtë.

Të gjithë ne e dimë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është dërguar me udhëzimin dhe Fenë e vërtetë. Me udhëzimin në të cilin nuk ekziston humbje dhe me Fenë e vërtetë në të cilën nuk ekziston lajthitje. Në këtë rrugë të pastër e të drejtë kanë qëndruar njerëzit në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), po kështu edhe gjatë gjithë kohës së zëvendësve të tij (Hulefave) të drejtë.

Por pas kësaj, umeti u përça në grupe të shumta e të ndryshme, sa që u bënë shtatëdhjetë e tre grupe, që të gjitha ato (do të hyjnë) në zjarr përveç njërit grup, ai i cili vazhdon të qëndrojë në atë që ka qenë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.

Kështu që themi: ky grup është grupi i Ehli Sunetit dhe Xhematit, dhe ky përshkrim i tyre nuk ka nevojë për sqarim e shpjegim se ata janë ata që janë në rrugën e vërtetë, pasi që ata janë pasuesit e Sunetit, të kapur fortë për të (sunetin) dhe pasuesit e xhematit (grupit, kolektivit), të bashkuar rreth tij.

Ndërsa grupet e tjera përveç tyre nuk i gjen veçse larg Sunetit, aq sa kanë shpikur në Fenë e Allahut të Madhëruar. Nuk gjen grup tjetër përveç grupit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, veçse të përçarë e të shpërndarë në idetë dhe besimet e tyre.

Ndërsa Allahu i Madhëruar i ka thënë të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Vërtet ata që e ndajnë fenë e tyre dhe shpërndahen në sekte e grupe (të çfarëdo lloji qofshin), ti (O Muhammed) nuk ke aspak të bësh me ta. Puna e tyre është vetëm me Allahun i Cili paskësaj do t’u tregojë atyre çfarë ata vepronin.” [El Enam, 159].

Kështu që nuk është nevoja ta zgjasim me përkufizimin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, pasi vetë ky emërtim tregon qartë për domethënien e tij dhe se ata janë të kapurit për Sunetin, të bashkuarit rreth tij.
Ndaj po i përmbledhim fjalët në pikat kryesore të mëposhtme:

Së pari: Sqarimi i rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me Emrat dhe Atributet Allahut të Madhëruar, shoqëruar me shembuj sqarues të kësaj rruge.

Rruga e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në Emrat dhe Atributet e Allahut është se atë që është pohuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e saktë të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) prej Emrave dhe Atributeve të Allahut, ata e konsiderojnë të vërtetë dhe se me to është për qëllim domethënia e drejtpërdrejtë e tyre, pa qenë nevoja për devijimin e devijuesve, pasi që devijimi i tyre është ndërtuar mbi të kuptuarit e tyre të gabuar, ose mbi qëllim të gabuar. Ata mendojnë se të pohuarit e atyre teksteve, apo të atyre Emrave dhe Atributeve ashtu si janë në kuptimin e drejtpërdrejtë, kjo sipas tyre është pohim i ngjashmërisë dhe shembullit. Për këtë shkak ata shkuan te devijimi i fjalës nga domethënia e saj.

Disa prej tyre mund të jenë edhe nga ata të cilët nuk e kanë perceptuar kështu këtë, por kanë pasur qëllim të keq për përçarjen e popullit musliman në grupe e parti të ndryshme.

Ndërsa pasuesit e Sunetit dhe të xhematit besojnë se të gjitha ato me të cilat Allahu ka quajtur dhe ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij J, të gjitha ato janë të vërteta në realitetin dhe domethënien e tyre të drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë për shtrembërimin e shtrembëruesve, madje ato janë shumë larg atij perceptimi të tyre.

Por duhet pasur parasysh se nga ato nuk mund të kuptohet diçka që nuk i takon Allahut të Madhëruar, prej atributeve të mangëta apo të ngjashme me ato të krijesave.

Me këtë rrugë optimale (më të favorshme) ata shpëtojnë nga rrëshqitja e të devijuarit në Emrat dhe Atributet e Allahut.

Ata nuk pohojnë për Allahun veçse atë që Ai Vetë e ka pohuar për Veten e Tij, ose që e ka pohuar për Të i Dërguari i Tij J, pa shtuar asgjë mbi këtë dhe as pa hequr prej saj.

Për këtë shkak, rruga dhe drejtimi i tyre në lidhje me këtë është se Emrat dhe Atributet e Allahut janë që nuk pranojnë diskutim apo futje të logjikës në to; askush nuk mund ta emërtojë apo ta cilësojë Allahun me diçka që Ai nuk e ka emërtuar apo cilësuar Veten e Tij. Përndryshe çdo njeri mund të thoshte: “Prej emrave të Allahut është edhe filan emër”, apo “filan emër nuk është prej emrave të Allahut”. Apo mund të thotë: “Prej cilësive të Allahut është edhe filan cilësi”, apo “filan cilësi nuk është prej cilësive të Allahut”, pa pasur asnjë lloj argumenti.

Sigurisht që ky ka shpifur për Allahun pa pasur dije, ndërsa Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Thuaj: “(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë El-Fahisha (gjynahet e mëdha, çdo lloj afrimi me gratë jashtë martesës etj) që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe përfolja për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni asnjë dijeni.” [El A’raf, 33].

Gjithashtu ka thënë: “Dhe mos ndiq (O njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).” [El Isra, 36].

Prej rrugës së tyre në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar është se në qoftë se ai Emër me të cilin Allahu ka quajtur Veten e Tij është prej emrave veprorë, ata besojnë se nga kushtet e plotësimit të besimit në të është:

  1. Të besuarit se ai është një nga Emrat e bukur të Allahut të Madhëruar.
  2. Të besuarit në atë që argumenton ai emër prej atributit përkatës.
  3. Të besuarit në ndikimin e atij emri, i cili është ai atribut i domethënies së tij.

Për këtë po marrim një shembull: Emri “Gjithëdëgjuesi”, sipas rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit duhet pohuar ky emër nga Emrat e Allahut dhe me të duhet të lutet Allahu e të adhurohet. Kështu p.sh. thuhet: “Adhuroi Gjithëdëgjuesin”, dhe thuhet: “O Gjithëdëgjues! O i Gjithëditur!”, e të ngjashme me këto, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta…” [El Araf, 180].

Po kështu duhet të pohosh atë që argumenton ky emër prej atributit (domethënies) të tij i cili është të dëgjuarit. Pra pohojmë për Allahun të dëgjuar të përgjithshëm dhe gjithpërfshirës, asgjë dhe asnjë lloj zëri nuk i shpëton Atij edhe nëse është i dobët.

Si dhe pohojmë gjithashtu ndikimin e këtij atributi, d.m.th. se Allahu i Madhëruar dëgjon gjithçka.
Dhe kështu ne përfitojmë shumë nga emrat e Allahut, pasi që prej këtyre tre gjërave që i pohuam për emrin vepror rezulton se ne duhet ta adhurojmë Allahun e Madhëruar me të dhe kështu vërtetojmë Fjalën e Allahut: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta…” [El Araf, 180].

Nëse ti beson se Allahu dëgjon, atëherë nuk ke për të folur një gjë të cilën Allahu e urren nga ti dhe nuk ke për të folur veçse atë që ai pëlqen nga ti, sepse ti e di se çfarë do lloj fjale që të thuash, me apo nën zë, Allahu i Madhëruar e dëgjon atë dhe ka për të njoftuar ty me atë që ke thënë, në ditën e Kiametit, dhe do të të kërkojë llogari për të sipas Urtësisë së Tij në mënyrën e llogarisë së atyre të cilët Ai i merr në llogari.

Pra, rregulli për këtë tek pasuesit e Sunetit dhe Xhematit është se në qoftë se një emër i caktuar nga emrat e Allahut është vepror, atëherë të besuarit në të nuk mund të plotësohet veçse me këto tre gjëra:

  1. Të besojmë se ai është nga emrat e Allahut dhe ta pohojmë atë për emër të Allahut.
  2. Të besojmë në atributin që ai argumenton.
  3. Të besojmë në ndikimin që rezulton nga ai atribut.

Me këtë plotësohet besimi në emrat veprorë të Allahut të Lartëmadhëruar.

E në qoftë se emri është jovepror (jokalimtar), ata e pohojnë këtë për emër nga emrat e Allahut, e quajnë Allahun me të, e drejtohen me të në lutje, si dhe pohojnë atributin absolut dhe të përshtatshëm që ai argumenton, por këtu nuk ka ndikim rezultues, pasi që ai emër është përfituar nga një rrënjë, cilësia e së cilës nuk është veprore (kalimtare), kështu që nuk ka ndikim.

Të marrim një shembull: “I Përjetshëm”, i cili është një nga emrat e Allahut të Madhëruar dhe ne e pohojmë atë për emër të Allahut dhe i drejtohemi Allahut me të në lutje, duke thënë: “O i Përjetshëm, o Mbajtës i gjithçkaje!”

Po kështu besojmë në atributin e domethënies së tij, i cili është Jeta absolute, e cila përfshin të gjitha cilësitë absolute që gjenden te i Përjetshmi, prej dijes, fuqisë, dëgjimit, shikimit, të folurit e të tjera.
Kështu që themi: Nëse një emër nga emrat e Allahut është jokalimtar, atëherë vërtetimi i besimit në të arrihet me dy gjëra:

  1. Të pohuarit e tij për emër të Allahut.
  2. Të pohuarit e atributit që ai argumenton, në formën absolute ashtu si i takon Allahut të Madhëruar.

Ndërsa në lidhje me atributet e Allahut, ne nuk e cilësojmë Allahun veçse me atë që Ai e ka cilësuar Veten e Tij, qoftë ajo cilësi e përmendur më vete dhe jo domethënia e një emri, apo domethënia e një prej emrave të Allahut.

Detyra jonë është të besojmë në këtë cilësi në realitetin e saj. Të marrim një shembull: Allahu i Madhëruar ka pohuar për Veten e Tij se Ai qëndroi mbi Arsh, dhe Ai na ka folur neve me Kuranin e zbritur në gjuhën e qartë arabe, dhe të gjithë ata të cilët kanë njohuri për gjuhën arabe e dinë shumë mirë domethënien e fjalës “Isteva” në gjuhën arabe. Për këtë arsye, kur imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) u pyet për domethënien e Fjalës së Allahut: “I Gjithëmëshirshmi (Allah) Isteva (u ngrit lartë dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [Ta Ha, 5].

U pyet: Si qëndroi? Ai tha: “Të qëndruarit është i njohur (domethënia e tij), forma është e panjohur, besimi në të është vaxhib (i detyrueshëm) dhe pyetja për të është bidat.”

Kjo është shprehja e njohur nga imam Maliku, ndërsa në një shprehje tjetër transmetohet se ai tha: “Të qëndruarit nuk i është i panjohur, forma e tij nuk është që e kap logjika, të besuarit në të është vaxhib dhe të pyeturit për të është bidat.”

Kjo shprehja e dytë është më e përpiktë se e para, pasi që shprehja “forma e tij nuk është që e kap logjika” argumenton se n.q.s. mungojnë të dy argumentet, ai nga sheriati dhe ai logjik, atëherë nuk mund të flitet për të.
Ky atribut i Allahut nuk ka ardhur gjithashtu emër nga emrat e Tij nga i cili të jetë përfituar. Pra nuk ka ardhur si emër i Allahut fjala “Mustevi” (Qëndrues), por ne themi: Allahu qëndroi mbi Arsh dhe besojmë në këtë atribut ashtu si i shkon Madhështisë së Allahut dhe e dimë se domethënia e fjalës “Isteva” është të ngriturit.

Pra ai është i ngritur i veçantë në lidhje me Arshin dhe jo të ngriturit e përgjithshëm mbi të gjitha krijesat. Për këtë shkak, në Fjalën e Allahut: “U ngrit dhe qëndroi mbi Arsh” [El Araf, 54], themi: U ngrit dhe qëndroi në atë mënyrë që i shkon Madhështisë së Tij, dhe jo si të ngriturit dhe të qëndruarit e njeriut mbi deve apo mbi karrige për shembull.

Kjo sepse të qëndruarit e njeriut mbi deve apo mbi karrige ka nevojë patjetër për vendin mbi të cilin qëndron, ndërsa të qëndruarit e Allahut të Lartëmadhëruar nuk është i qëndruar i nevojshëm për gjë, përkundrazi Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për asgjë, por çdo gjë ka nevojë për Allahun.

Ndërsa ai që pretendon se Allahu ka nevojë për Arshin që ta mbajë Atë, ai e ka ofenduar Zotin e tij të Madhëruar, sepse Allahu nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat e Tij, por të gjitha ato kanë nevojë për Të.
Po kështu edhe të zbriturit në qiellin e kësaj dynjaje në kohën kur mbet edhe një e treta e natës, ne e besojmë këtë si të zbritur të vërtetë, por që i shkon Madhështisë së Allahut dhe nuk i përngjet zbritjes së krijesave.

Prej këtu themi se besimtari duhet të jetë larg asaj që mund të hedh shejtani në mendjen e tij, gjë e cila është shtrembërimi i teksteve për shkak të kësaj që shejtani hedh në zemrat e njerëzve – e ai është përfytyrimi i formës së ndonjë prej atributeve të Allahut, apo përfytyrimi i vetë Qënies së Allahut të Madhëruar.
Dije pra se nuk lejohet kurrë që të përfytyrohet forma e Qënies së Allahut, apo forma e ndonjë prej cilësive të Tij.

Dhe dije se n.q.s. ti e përfytyron Atë, ose përpiqesh ta përfytyrosh, atëherë do të biesh në një prej dy të ndaluarave:

  1. Ose në shtrembërim dhe mohim.
  2. Ose në krahasim dhe përngjasim.
    Ndaj, o vëllezër, ju nuk duhet kurrë që të përfytyroni ndonjë apo diçka prej cilësive të Allahut të Madhëruar. Nuk them të mos e pohoni domethënien e tyre që duhet pohuar, por formën e asaj cilësie e atributi nuk mund ta përfytyrosh kurrë, pasi që as nuk ke me çfarë ta krahasosh atë përfytyrim.

Nuk është kurrë e mundur që të përfytyrohen atributet e Allahut të Madhëruar, as me përcaktim dhe as me fjalë, ndaj ti duhet t’i shmangesh kësaj, përndryshe je duke u përpjekur të arrish në diçka që është absurde të arrihet te ajo, madje kështu është frikë të futesh në diçka të rrezikshme nga e cila nuk mund të dalësh dot më, por do të ndjekësh rrugën e përngjasimit dhe mohimit.

Kjo sepse Allahun e Madhëruar nuk mundet askush ta përfytyrojë në ndonjë formë të caktuar, pasi që nëse dikush e bën këtë, ai ka ndërhyrë në diçka për të cilën nuk ka dije, ndërsa Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe mos ndiq (O njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni.” [El Isra, 36].

Edhe nëse e përfytyron duke e krahasuar me diçka tjetër, atëherë i ke bërë Allahut shembull dhe të ngjashëm me Të, ndërsa Allahu thotë: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura, 11].

Me këtë na bëhet e qartë se kushdo që i mohon atributet e Allahut, ai e ka bërë këtë pasi që së pari i ka përfytyruar ato, pastaj thonë se nga ky përfytyrim rezulton ngjasimi me krijesat, pastaj e shtrembëruan domethënien e tyre.

Ndaj ne themi: C’do mohues dhe refuzues i atributeve të Allahut, ai është prej atyre që i ka ngjasuar ato (me të krijesave) dhe ngjasimi i tij i ka paraprirë mohimit që ai bën. Ai i ka ngjasuar ato së pari, pastaj i ka mohuar, e sikur ai t’a kishte vlerësuar Allahun ashtu si i takon dhe të mos i ishte ballafaquar përfytyrimit të atributeve të Tij, ai nuk do të kishte shkuar në këtë refuzim dhe mohim të tyre.

Rruga e Ehli Sunetit në adhurimin e Allahut të Madhëruar

Rruga e tyre është se ata e adhurojnë Allahun për Allahun, me Allahun dhe në Allah.

Fakti se ata e adhurojnë Allahun për Allahun, me këtë është për qëllim sinqeriteti, d.m.th. se ata e bëjnë adhurimin e tyre vetëm për Allahun e Madhëruar dhe nuk kërkojnë me adhurimin e tyre veçse Zotin e tyre, dhe nuk afrohen tek askush tjetër veç Tij.

Ata vetë kërkojnë mënyrë e rrugë për të drejtë hyrje e afrimi tek Zoti i tyre (Allahu), secili prej tyre do të dëshironte të jetë më i afërti dhe ata vetë shpresojnë për Mëshirën e Tij dhe kanë frikë Ndëshkimin e Tij.

Ata nuk e adhurojnë Allahun për t’i parë filani e fisteku, as për t’u madhëruar në mesin e njerëzve, as për t’u quajtur me epitetin „adhurues“.

Por ata e adhurojnë Allahun për Allahun.

Ndërsa fakti se ata e adhurojnë Allahun me Allahun, d.m.th. të ndihmuar nga Allahu e adhurojnë Allahun. Ata nuk mund të mburren me veten e tyre, apo të mendojnë se janë të pavaruar nga Allahu në adhurimin e tyre.

Përkundrazi, ata vërtetojnë Fjalën e Allahut të Madhëruar që thotë: „Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë.“ (El Fatiha, 5).

Domethënia e fjalës: “Vetëm Ty të adhurojmë”, d.m.th. adhurojnë Allahun për Allahun (me sinqeritet).

Dhe fjala „dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë“, d.m.th. e adhurojnë Allahun me Allahun, d.m.th. i kërkojnë ndihmë Atij për adhurimin e Tij, të Lartëmadhëruarit.

Dhe fakti se ata e adhurojnë Allahun në Allah, d.m.th. në Fenë e Allahut, në Fenë që Allahu ka zbritur dhe ka ligjësuar në gjuhën e Pejgamberëve të Tij.

Dhe ata (Pejgamberët), si dhe pasuesit e Sunetit dhe Xhematit nga ky ymet (ymeti i Muhamedit alejhis selam) e adhurojnë Allahun me atë që Allahu ka vënë Ligj në gjuhën e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), pa shtuar dhe pa hequr asgjë nga kjo.

Pra, ata e adhurojnë Allahun në Allah, në Sheriatin e Tij, në Fenë e Tij. Pa dalë nga kjo, qoftë duke shtuar apo duke hequr nga ajo.

Ndaj edhe adhurimi i tyre është adhurimi i vërtetë dhe i pastër nga ndotësitë e shirkut dhe bidatit, pasi që kushdo që synon dikë tjetër me adhurimin e tij, ai i ka bërë shok Allahut, dhe kushdo që e adhuron Allahun me diçka tjetër nga ajo që Ai ka ligjëruar, ai ka bërë bidat (risi) në Fenë e Allahut, ndërsa Allahu i Madhëruar thotë: „Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, pos asaj që duheshin të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë e me përkushtim të plotë, edhe të kryenin faljen e detyruar të namazit (Ikametus-salat) e të jepnin Zekatin: dhe kjo është feja e drejtë, e vërtetë.“ (El Bejjine, 5).

Pra adhurimi i tyre është vetëm për Allahu, në Fenë e Allahut, pa shpikur diçka që ua zbukurojnë epshet e tyre, dhe nuk them diçka që ua zbukurojnë mendjet e tyre, sepse mendja e shëndoshë nuk mund të zbukurojë diçka që del nga sheriati i Allahut, sepse zbatimi i sheriatit të Allahut nuk bie ndesh me logjikën e shëndoshë.

Ndaj, për ata të cilët e përgënjeshtronin të Dërguarin e Tij, Allahu thotë: “Por përkundrazi. Shumica e tyre nuk kuptojnë.“ (El Ankebut, 63).

Sikur ta adhuronim Allahun me atë që na pëlqen neve dhe sipas asaj që dëshirojmë, do të ishim ndarë në grupe dhe parti ku secili do të quante të mirë diçka dhe do ta adhuronte Allahun me të, dhe atëherë nuk do të na përshtatej cilësimi që na ka bërë Allahu i Madhëruar në Fjalën e Tij: “Dhe me të vërtetë që kjo feja juaj është një fe (Islami); dhe Unë jam Zoti juaj; kështu pra, m’u frikësoni (vetëm) Mua.” [El Muminun, 52].

Të vështrojmë pak tek ata të cilët e adhurojnë Allahun me bidate (risi) për të cilat Allahu nuk ka dhënë lejë dhe as nuk ka zbritur ndonjë argument, se si ata janë ndarë në grupe dhe quajnë njëri-tjetrin kafir dhe të prishur.

Ata janë muslimanë dhe një pjesë e njerëzve kanë quajtur kafir pjesën tjetër për disa çështje të cilat nuk e nxjerin njeriun në kufër, por epshi i ka shurdhuar dhe i ka verbuar sytë e tyre.

Ne themi: Nëse ecim në këtë rrugë, që të mos e adhurojmë Allahun veçse me atë që Ai e ka bërë fe, atëherë do të jemi një ymet i vetëm. Pra nëse e adhurojmë Allahun e Madhëruar me sheriatin dhe udhëzimin e Tij, jo sipas dëshirave dhe epsheve tona, atëherë do të ishim një popull i vetëm. Sheriati i Allahut është rruga e drejtë dhe jo epshi.

Kështu që, sikur dikush nga pasuesit e bidatit të shpikte një rrugë në akide (në lidhje me bindjen) ose në lidhje me veprat, qoftë ajo fjalë apo vepër, pastaj të thotë se kjo është diçka e mirë, dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kushdo që hap një rrugë të mirë (bëhet shembull) në Islam, ai ka shpërblimin e saj dhe të atij që vepron me të deri në ditën e Kiametit.”[1]

Ne i themi këtij thjesht fare: Kjo e mirë që ti e pohon se qëndron në këtë bidat, a ka qenë e fshehur dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e dinte, apo kjo ishte e njohur tek ai por ai e fshehu atë dhe askush prej të parëve nuk e zbuloi atë, që dija për të të jetë ruajtur për ty?!

Përgjigja është: Nëse thotë: “e para”, kjo shtë sherr, dhe nëse thotë: “e dyta”, kjo është edhe më sherr dhe më e madhe.

Nëse thotë: Pejgamberi nuk e dinte të mirën e këtij bidati, ndaj edhe nuk e ligjëroi atë.

Themi: Ti e ke fyer të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) me diçka shumë të madhe, përderisa thua se ai nuk di në fenë e Allahut dhe Sheriatin e Tij.

E nëse thotë se ai (salallahu alejhi ue selem) e dinte por e fshehu atë dhe nuk ia tregoi krijesave.

I themi atij: Kjo është edhe më e rëndë dhe më e hidhur, sepse ti e ke cilësuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili është i besueshmi i ndershëm, e ke cilësuar atë me tradhti dhe mosbujari me dijen e tij, gjë e cila është edhe më e keqe se të cilësuarit e tij me mosbujari në pasurinë e tij, megjithëse ai (salallahu alejhi ue selem) ka qenë më bujari i njerëzve.

Këtu ekziston edhe një e keqe e cila mund të jetë supozim i tretë, se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e dinte dhe e kumtoi atë, por ajo nuk na ka arritur neve.

Në këtë rast themi: Atëherë ke fyer Fjalën e Allahut, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet Ne, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kur’anin) dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithëruajtës të tij.” [El Hixhr, 9]. Dhe nëse humb një nga ligjet e Përkujtimit, kjo do të thotë se Allahu nuk e ka ruajtur atë, por ka neglizhuar në ruajtjen e tij aq sa ka humbur prej këtij sheriati, për shkak të së cilit ka zbritur këtë Përkujtim!

Sidoqoftë, çdo njeri që shpik ndonjë mënyrë për t’u afruar te Zoti i tij, qoftë ajo akide apo vepër, e shprehur apo e vepruar, ai është i humbur, sepse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo bidat është humbje.” Dhe kjo fjalë është e përgjithëshme dhe gjithëpërfshirësi, nuk përjashtohet asgjë prej saj, sepse çdo bidat në fenë e Allahut është humbje dhe në të nuk ka asnjë të vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë: ” Kështu, pas së vërtetës, ç’gjë tjetër mund të ketë përveçse të gabuarës? Si atëherë keni humbur (nga e vërteta drejt mohimit)?” [Junus, 32].

Pastaj themi: Hadithi nuk bën fjalë për çdo bidat, por thotë: “Kushdo që hap një rrugë (bëhet shembull) në Islam …”, dhe ajo që del jashtë sheriatit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), nuk është nga Islami, por ai ka thënë: “Kushdo që hap në Islam një rrugë të mirë (bëhet shembull i mirë)…”, kështu që mësojmë se kjo rrugë duhet patjetër të jetë nga ato që ka aprovuar Islami, përndryshe nuk është rrugë në Islam.

Dhe kushdo që e di shkakun e thënies së këtij hadithi të sipërpërmendur, e di se me këtë “rrugë” është për qëllim parakalimi i të tjerëve në kryerjen e një vepre të mirë (të lënë në harresë), apo garimi në praktikimin e një suneti për t’ja kaluar njerëzve të tjerë (që nuk e dinë apo është harruar).

Kjo, sepse shkaku i thënies së këtij hadithi është i njohur;  Një grup njerëzish erdhën tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem). Ata ishin të varfër dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i nxiti muslimanët që t’i jepnin lëmoshë atyre. Një burrë prej ensarëve solli një torbë e cila ia lodhi dorën nga pesha dhe e vendosi para Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), e ai tha: “Kushdo që hap një rrugë të mirë (bëhet shembull) në Islam, ai ka shpërblimin e saj dhe të atyre që do punojnë me të (që do e pasojnë).”

Kështu na bëhet e qartë se fjala “kush hap”, nuk do të thotë “kush shpik diçka të paqenë më parë”, por është për qëllim ai që e vepron i pari atë, ai është prijës i të tjerëve në atë gjë dhe shembull i mirë. Kështu që ai do të ketë shpërblimin e saj dhe të atyre që do e veprojnë atë, deri në ditën e Kiametit.

Dhe kësaj nuk i përballen ato mjete të shpikura të cilat të çojnë në gjërat e lejuara, sepse kjo, edhe nëse belbëzojnë me të bidatçinjtë dhe i mbështesin bidatet e tyre në të, por ata nuk kanë pjesë në të, vetëm nëse shkruajtësi në ujë të ketë pjesë nga shkronjat e mbetura në të!!

Them:  Disa njerëz i quajnë të mira disa bidate që ata kanë shpikur në fenë e Allahut dhe nga të cilat rezulton detyrimisht ajo që thamë më sipër, duke u argumentuar me mjetet e shipkura për arritjen e qëllimeve të mira. Për këtë ata argumentohen me historinë e grumbullimit të Kuranit dhe të bashkimin e tij në një libër të vetëm. Po kështu me ndërtimin e qendrave të dijes dhe gjëra të tjera prej mjeteve dhe jo qëllimeve, sepse ka dallim mes diçkaje që është mjet për arritjen e një qëllimi të mirë dhe të ligjshëm në fe, i cili nuk mund të arrihet veçse me anë të këtij mjeti. Dhe sigurisht që ky mjet ripërtërihet dhe ndryshon me përtëritjen dhe ndryshimin e kohës.

Allahu i Madhëruar thotë: Dhe bëni gati kundër tyre gjithë fuqitë që keni…” [El Enfal, 60].

Përgatitja e fuqisë në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) ka qenë tjetër nga kjo e kohës sonë. Nëse ne shpikim diçka të caktuar me të cilën arrijmë përgatitjen e fuqisë (ushtarake), kjo risi në këtë rast është shpikje mjeti dhe jo shpikje qëllimi me të cilin afrohesh tek Allahu i Madhëruar.

Pra kjo është shpikje mjeti dhe sipas rregullave të aprovuara nga dijetarët, mjetet marrin gjykimin e qëllimeve.

Me këtë na bëhet e qartë se belbëzimi i atyre që shpikin bidate në fenë e Allahut, duke argumentuar me gjëra të tilla, ata nuk kanë asnjë farë argumenti në këtë, sepse të gjitha që kanë ndodhur (në kohën e sahabeve) kanë qenë mjete për arritjen e disa qëllimeve të mira.

Kështu, mbledhja e Kuranit në një libër të vetëm dhe gjëra të ngjashme me këtë, të gjitha këto janë mjete për qëllime të lejuara në vetvete. Pra njeriu duhet të bëjë dallim mes mjetit dhe qëllimit. Ajo që ka qenë qëllim në vetvete është bërë e ligjshme nga i Dërguari i Allahut (salallahu me atë që Allahu i shpalli atij prej Librit madhështor dhe sunetit të pastër.

Shyqyr Zotit, kemi një ajet në Librin e Allahut, të cilin ne e lexojmë, dhe ai ajet është: “Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe.” [El Maide, 3].

E sikur të kishte diçka që e plotësonte fenë në gjërat e shpikura, ajo do të ishte ligjëruar, sqaruar, kumtuar dhe ruajtur, por në to (risitë) nuk ka asgjë që të jetë plotësuese e fesë, përkundrazi ato janë cënuese të fesë së Allahut.

Dikush mund të thotë: Në këto gjërat e reja ne gjejmë emocion fetar, butësim të zemrës dhe bashkim të njerëzve.

Ne i themi: Allahu i Madhëruar ka njoftuar për shejtanin se ai ka thënë: “Pastaj do t’u afrohem atyre përballë dhe pas shpine, nga e djathta dhe nga e majta…” El Araf, 17]. Shejtani i zbukuron ato (bidatet) në zemrën e njeriut për ta larguar atë nga ajo për të cilën ai është krijuar prej adhurimit të Allahut, të cilin Ai e ka ligjëruar, dhe kështu njeriu përulet nëpërmjet ndikimit të shejtanit, i cili e pengon dhe e largon atë nga feja e vërtetë.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka njoftuar se shejtani lëviz tek biri Ademit si lëvizja e gjakut, madje para kësaj, në Kuran thuhet: “Vërtet që ai nuk ka aspak fuqi mbi ata që besojnë e që mbështeten vetëm te Zoti i tyre. Fuqia e tij (shejtanit) është vetëm përmbi ata të cilët i binden dhe e ndjekin atë (shejtanin) dhe mbi ata të cilët i vënë shokë Atij. [En Nahl, 99-100].

Pra Allahu i ka dhënë shejtanit fuqi mbi atë që e miqëson shejtanin dhe i vë shok Allahut, d.m.th: i bën shok Allahut me anë të shejtanit. Dhe çdokush qe merr dikë për ta pasuar në ndonjë bidat, në fenë e Allahut, ai i ka bërë shirk Allahut dhe e ka bërë të pasuarin shok të Allahut të Madhëruar në gjykim.

Allahu i Madhëruar nuk ka shok në gjykimin e sheriatit apo në gjykimin në caktim. Allahu i Madhëruar thotë: Urdhëri e gjykimi nuk është për kënd tjetër, përveç Allahut. Ai ka urdhëruar që ju të mos adhuroni tjetër veçse Atë, kjo është feja e drejtë dhe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Jusuf, 40].

Jam përqendruar në këtë pikë me qëllim që ta dinë ata të cilët shpikin gjëra të reja (në fe) se ata nuk kanë asnjë argument e provë për atë që kanë shpikur.

Dhe dije, Allahu të mëshiroftë, se nuk ka rrugë tjetër për të mbërritur tek Allahu i Madhëruar dhe në banesën e nderimit të Tij, përveç rrugës që e ka vendosur vetë Ai, në gjuhën e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem).

… ndërsa për Allahun është më i Larti Shembull dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nahl, 60].

Sikur ndonjë prej mbretërve të hapte një portë për të hyrë tek ai dhe të thoshte: “Kushdo që dëshiron të arrijë tek unë, të hyjë nga kjo derë.”

Si do të mendonit ju për atë që shkon tek ndonjë derë tjetër, a ka për të arritur te mbreti? Siqgurisht që jo.

Dhe Mbreti Madhështor, Mbreti i mbretërve dhe Krijuesi i krijesave ka vendosur një rrugë që të shpie tek Ai dhe me të cilën kanë ardhur të Dërguarit e Tij, në krye dhe vula e të cilëve është Muhamedi (sallahu alejhi ue selem), pas dërgimit të së cilit, askush nuk mund ta arrijë lumturinë veçse nga rruga e tij (salallahu alejhi ue selem).

E vërteta është ndjekja e Pejgamberit (sallahu alejhi ue selem) dhe nga edukata me Pejgamberin (sallahu alejhi ue selem) është që të ndjekim atë rrugë që ka ndjekur ai, të lemë atë që ka lënë dhe të mos paraprijmë para tij duke thënë në fenë e tij diçka që ai nuk e ka thënë, apo të shpikim diç që ai nuk e ka ligjëruar.

A është prej dashurisë për Pejgamberin (sallahut alejhi ue selem) dhe prej madhërimit të tij që të shpikim diçka në fenë e tij, për të cilën ai thotë: “Cdo bidat është në humbje”? Dhe gjithashtu thotë: “Kushdo që vepron një vepër e cila nuk është sipas çështjes (rrugës) sonë, ajo është e refuzuar.?

A është kjo gjë nga dashuria për Pejgamberin, që të bësh të ligjshme në fenë e Allahut diçka që Ai nuk e ka bërë të ligjshme?!

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj (O Muhamed): Nëse jeni që e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që t’ju dojë Allahu dhe t’ju falë gjynahet tuaja.” [Al Imran, 31].

Rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me të drejtën e Pejgamberit alejhi selam

Është mëse e ditur se Islami i dikujt nuk mund të plotësohet veçse duke dëshmuar shehadetin se nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahu dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Por kjo dëshmi nuk mund të vërtetohet veçse me tre gjëra:

  1. Me bindje në zemër.
  2. Shprehje me gjuhë.
  3. Dhe veprim me gjymtyrë.

Ndaj, munafikët, kur shkonin te Pejgamberi (alejhi selam) i thoshin: “Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut”, ndërsa Allahu i Madhëruar thotë për ta: “Por Allahu dëshmon se munafikët janë me të vërtetë gënjeshtarë.” [El Munafikun, 1].

Përse? –Sepse kjo dëshmi e tyre ka humbur shtyllën më të madhe të saj, bindjen. Këta thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e besojnë në zemrat e tyre.

Kështu që kush thotë se dëshmon se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, por zemra e tij është e zbrazët nga kjo dëshmi, ai nuk e ka plotësuar dëshminë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Po kështu edhe ai që e beson këtë dëshmi, por nuk e shpreh me gjuhën e tij, ai nuk e ka vërtetuar këtë dëshmi.

Dhe po ashtu ai që e thotë atë (dëshmi) por nuk e ndjek Pejgamberin në sheriatin e tij, ai nuk e ka vërtetuar dëshminë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. E si mund ta kundërshtosh Pejgamberin kur beson se ai është i Dërguari i Zotit të botëve dhe se sheriati (ligji) i Allahut është ligji me të cilin ai ka ardhur?!

Atëherë si mund të thuash që dëshmon se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, dhe ta vërtetosh atë plotësisht?

Prandaj, ne besojmë se kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai nuk e ka vërtetuar dëshminë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Nuk them që nuk e dëshmon këtë gjë, por nuk e vërteton atë plotësisht dhe e ka të mangut atë në varësi të kundërshtimit që ai i bën atij.

Pra, rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me të drejtën (hakun) e Pejgamberit (salallahu alejhi ue alihi ue selem) është të dëshmuarit me zemrat e tyre, me gjuhët dhe me veprat e tyre se ai është i Dërguari i Allahut.

Po kështu që ta duan atë me dashuri nderimi dhe madhërimi, dashuri që buron nga dashuria për Allahun e Madhëruar.

Dhe nuk e duan atë me dashuri adhurimi, sepse me sheriatin e Pejgamberit alejhi selam adhurohet Allahu, dhe nuk adhurohet Pejgamberi alejhi selam.

Ata (Ehli Suneti) e duan Pejgamberin alejhi selam sepse ai është i Dërguari i Zotit të botëve, dhe dashuria e tyre për të është rrjedhojë e dashurisë për Allahun e Madhëruar. Sikur Allahu të mos e kishte dërguar (zbritur shpalljen) Muhamed ibën Abdullah el Kurashi, ai do të ishte vetëm një nga burrat e fisit Kurejsh dhe nuk do ta meritonte këtë gradë dhe vend që ka merituar me shpalljen.

Pra, ne e duam dhe e madhërojmë atë (salallahu alejhi ue selem), sepse ne e duam Allahun dhe e madhërojmë Atë, dhe ngaqë ai është i Dërguari i Allahut dhe sepse Allahu ka udhëzuar ymetin musliman me anë të tij, prandaj ne e duam atë.

Pejgamberi alejhi selam është i dashur te pasuesit e Sunetit dhe Xhematit sepse ai është i Dërguari i Zotit të botëve, dhe nuk ka dyshim se ai është njeriu më i denjë, madje krijesa më e denjë dhe më e merituar për mbartjen e kësaj shpallje madhështore, paqja dhe salavatet e Allahut qofshin mbi të!

Gjithashtu ata e madhërojnë Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) ashtu si i takon dhe besojnë se ai është krijesa më e nderuar tek Allahu i Madhëruar.

Por megjithë këtë, ata nuk e ngrenë atë më tepër se vendi që i ka dhënë Allahu atij. Ata thonë: Ai (Muhamedi) është robi i Allahut, madje ai është robi më adhurues prej të gjithë njerëzve, i cili e adhuron Allahun më shumë se të gjithë, sa që falej deri sa i ënjteshin këmbët. Dhe kur i thuhej se përse vepronte kështu, kur atij i ishin falur të gjitha gjynahet e mëparshme dhe të mëvonshme, ai thoshte: “A të mos dua që të jem rob shumë falënderues?”

E kush mund të jetë ai që e përsos adhurimin për Allahun ashtu si Pejgamberi alejhi selam, i cili thoshte: “Betohem në Allahun! Unë jam më i devotshmi prej jush ndaj Allahut dhe më i dituri për atë që i ruhem.”

Padyshim se ai (salallahu alejhi ue selem) është robi me adhurim më të madh për Allahun dhe më i denjë për plotësimin dhe përsosmërinë e adhurimit, paqja dhe salavatet e Allahut qofshin mbi të! Prandaj, kur ai foli për qepën dhe hurdhrën, muslimanër menduan se ato ishin haram, por ai (alejhi selam) tha: “O njerëz! Unë nuk kam të drejtë të bëj të ndaluar atë që Allahu e ka lejuar.”

Vëreni këtë edukatë me Allahun e Madhëruar. Kështu është adhurimi, prandaj ata (ehli suneti) thonë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është rob nga robët e Allahut dhe ai është njeriu më i plotë në adhurimin e tij për Allahun.

Ata besojnë gjithashtu se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk e di të fshehtën, përveç asaj që i ka treguar Allahu i Madhëruar. Ai nuk ka në dorë për veten e tij as ndonjë të mirë dhe as të keqe, dhe as për të tjerët, dhe Allahu e urdhëroi atë që t’ua komunikonte këtë gjë popullit, duke thënë: “Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk ju them se unë kam Thesaret e Allahut, as edhe që e di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën); nuk ju them as edhe se unë jam melek.” [El Enam, 50].

Cili është misioni i tij atëherë? Ai është: “Unë nuk ndjek veçse atë që më shpallet.”

Dhe kush pretendon se Pejgamberi (alejhi selam) di diçka nga e fshehta, përveç asaj që i ka treguar Allahu, ai është kafir (mohues, përgënjeshtrues) i Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sepse ai përgënjeshtron Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u urdhërua që të thoshte dhe tha një fjalë e cila lexohet deri në ditën e Kiametit: “Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk ju them se unë kam Thesaret e Allahut, as edhe që e di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën); nuk ju them as edhe se unë jam melek.” [El Enam, 50].

Me rastin e këtij ajeti të nderuar, dëshiroj të them: Ndonjëherë njoftimet e Kuranit të Lartë paraqiten me fjalën “Thuaj”, dhe çdo gjë që fillon me këtë fjalë, domethënia e saj është se Allahu i Madhëruar kujdeset për të me përkujdesje të veçantë, përndryshe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) është urdhëruar që ta thotë (ta komunikojë) të gjithë Kuranin: “O ti Pejgamber! Shpalle atë që të zbritet nga Zoti yt.” [El Maide, 67].

Por ajo që veçohet me fjalën “Thuaj”, në të ka përkujdesje të veçantë, ndaj edhe meriton të fillohet me urdhërin për shpalljen e saj në mënyrë të posaçme, siç është ajeti i mësipërm, dhe si ai edhe ajeti në lidhje me dispozitat: Thuaju besimtarëve që të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara)…” [En Nur, 30]. Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara)…” [En Nur, 31].

Shembujt për këtë janë të shumtë në Kuranin e Lartë. Pra Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e di nga e fshehta veçse atë që i ka treguar Allahu i Madhëruar, dhe ai nuk ka në dorë për veten e tij as dëm dhe as dobi, madje as për të tjerët: Thuaj: “Nuk është në fuqinë time t’ju sjell dëm ose t’ju bie në Rrugën e Drejtë.” [El Xhin, 21]. Thuaj: “Askush nuk mund të më mbrojë mua nga Ndëshkimi i Allahut (po të isha që nuk i bindem Atij) dhe nuk do të gjeja mbështetje përveçse tek Ai.” [El Xhin, 22].

D.m.th. sikur Allahu të dëshironte diçka për mua, askush nuk do të më mbronte nga ai dhe unë nuk do të gjeja strehim tjetër veçse tek Ai.

Ata (Pasuesit e Sunetit) besojnë se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) është njeri dhe nuk ka në dorë asgjë nga çështjet hyjnore (në krijimin dhe lëvizjen e kozmosit). Ai nuk e di të fshehtën veçse në kufijtë që i ka treguar Allahu, madje ndonjëherë ai (salallahu alejhi ue selem) frenohet në disa çështje prej dispozitave të sheriatit, duke pritur që ti vinte shpallja. Madje ndodhte që të thoshte një fjalë dhe më pas ajo t’i përballej përjashtimit apo edhe kritikës nga Allahu i Madhëruar.

Një herë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u pyet nëse të rënurit dëshmor i fshinte të gjitha gjynahet apo jo, dhe ai tha: “Po.” Më vonë tha: “Ku është pyetësi? –Dhe i tha: “Përveç borxhit. Më njoftoi për këtë Xhibrili para pak çastesh.”

Ndonjëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) merrte vendim me përpjekjen e tij, por i vinte shpallja nga Allahu i Madhëruar dhe e njoftonte se e mira është në këtë dhe në atë gjë, ndryshe nga ajo që ai kishte zgjedhur.

Pra, Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) është rob adhurues i Allahut të Madhëruar dhe nuk posedon asgjë nga cilësitë hyjnore.

Ky është besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit besojnë gjithashtu se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është njeri dhe ka veçoritë e njerëzve fizike; ai (salallahu alejhi ue selem) fle, ha, pi, sëmuret, ndjen dhimbje, mërzitet, kënaqet, nxehet dhe vdes (salallahu alejhi ue selem): “Sigurisht që ti (O Muhammed) do të vdesësh dhe padyshim që edhe ata do të vdesin. Pastaj Ditën e Ringjalljes, para Zotit tuaj ju do të haheni e do të kundërshtoheni mes njëri-tjetrit.” [Ez Zumer, 30, 31].

Muhammedi nuk është tjetër veçse i Dërguar. Tashmë shumë të Dërguar kanë kaluar para tij. Në qoftë se ai vdes ose vritet, atëherë a do të ktheheshit menjëherë prapa (si mosbesimtarë)? Dhe ai që kthehet përsëri prapa, as dëmin më të vogël nuk i shkakton Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” [Al Imran, 144].

Nuk ka dyshim se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka vdekur fizikisht dhe shpirti i tij është ndarë nga trupi i tij. Familja dhe shokët e tij vepruan me të ashtu si veprojnë edhe me të vdekurit e tjerë, me përjashtim se ai (salallahu alejhi ue selem) nuk u zhvesh kur iu la xhenazeja, dhe gjithashtu është e njohur se xhenazeja nuk iu fal me xhemat, por njerëzit ia falnin xhenazenë një nga një, pasi që ai (salallahu alejhi ue selem) ishte imami.

Dhe kush pretendon se ai (salallahu alejhi ue selem) është i gjallë në varrin e tij dhe jeton jetë fizike dhe jo atë të varrezave, dhe se ai falet dhe agjëron e bën haxh, apo se ai (salallahu alejhi ue selem) i di ato që thotë dhe vepron populli i tij, ky ka thënë fjalë të pabazuar në dije.

Vepra e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) është ndërprerë me vdekjen e tij, siç ka thënë vetë ai (salallahu alejhi ue selem): “Kur vdes njeriu, atij i ndërprehen të gjitha veprat, përveç tre gjërave: sadakasë së vazhdueshme, dijes nga e cila përfitohet dhe djalit të mirë që lutet për të.”

Pra vepra që ai (salallahu alejhi ue selem) e bënte me gjymtyrët e tij është ndërprerë me vdekjen e tij (salallahu alejhi ue selem), por nuk ka dyshim se çdo lloj dije që ne e kemi mësuar nga sheriati i Allahut të Madhëruar, ka qenë me anë të tij (salallahu alejhi ue selem), kështu që ai (salallahu alejhi ue selem) përfiton nga të gjitha këto njohuri dhe dije që ne mësojmë pas vdekjes së tij (salallahu alejhi ue selem).

Po kështu edhe veprat e mira që ne i kryejmë janë nga udhëzimi i tij (salallahu alejhi ue selem), kështu që ai ka shpërblim njësoj se ai që i vepron ato.

Rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me të drejtën e Sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!)

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit ia dedikojnë sahabeve (shokëve të Pejgamberit) meritën e tyre dhe se ata janë brezi më i mirë, bazuar në dëshminë e vetë Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), i cili ka thënë në hadithin e transmetuar nga Imran ibën Husajn: “Brezi më i mirë është brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe pastaj ata që vijnë pas tyre.”

Pra sahabet pa dyshim që janë më të mirët e ymetit musliman, por vetë ata janë me grada dhe dikush është më i mirë se tjetri.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk janë njësoj ndërmjet jush ata që shpenzuan dhe luftuan para çlirimit (të Mekës). Të tillët janë në gradë më të lartë se ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por për të gjithë Allahu ka premtuar të mira dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.” [El Hadid, 10].

Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç atyre që janë të pamundur, me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre. Allahu i ka parapëlqyer në shkallë më të lartë ata që përpiqen dhe luftojnë me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre përmbi ata që rrinë në shtëpitë e tyre. Për secilin Allahu ka premtuar mirësi (Xhennet), por Allahu ka parapëlqyer ata që përpiqen dhe luftojnë përmbi ata që rrinë në shtëpi me një shpërblim të madh.” [En Nisa, 95].

Por këto grada dhe këto merita, duhet ta dimë mirë se secili prej tyre ka gradën e tij të përgjithshme (si sahabij) dhe gradën e tij të veçantë për të; d.m.th. se dikush prej tyre mund të jetë më i mirë se dikush tjetër në përgjithësi dhe në vështrim të gjerë, ndërkohë që ai tjetri mund të ketë një veçori në të cilën është më i mirë se ai i pari (i cili është më i mirë se ky në përgjithësi).

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit thonë: Më të mirët e sahabeve janë katër Hulefat, dhe më i miri prej tyre është Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani dhe pastaj Aliu. Ata i radhisin ata në meritë sipas radhitjes së tyre në Hilafet. Por fakti se Ebu Bekri është më i miri i sahabeve, nuk do të thotë se ndonjë prej sahabeve të mos dallohet nga Ebu Bekri me ndonjë virtyt të veçantë.

Ali ibën Ebi Talib mund të ketë ndonjë virtyt që nuk e ka Ebu Bekri, po kështu edhe Umeri mund të ketë një virtyt që nuk e ka Ebu Bekri, dhe po kështu Uthmani, por fjala është për meritën dhe gradën e përgjithshme. Kjo sepse gradët e sahabeve ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe për këtë janë bashkuar unanimisht Ehli Suneti dhe Xhemati. Për këtë argumenton vetë Kurani dhe Suneti gjithashtu.

Halid ibën el Velid dhe Abdurrahman ibën Auf po polemizonin për një çështje dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i tha Halidit: “Mos i shani shokët e mi! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur ndokush prej jush të shpenzonte (jepte sadaka) sa mali i Uhudit me ar, nuk do të arrinte as sa dy grushtat e duarve të tyre dhe as gjysmën e tyre.”

Po kështu, Ehli Suneti dhe Xhemati thonë: Disa prej sahabeve kanë disa virtyte që nuk i kanë të tjerët dhe ne duhet t’u japim secilit prej tyre vendin që i takon. Nëse sahabiu është nga familja e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), siç është Ali ibën Ebi Talib, Hamza, Abasi, Ibën Abasi, e të tjerë, ne e duam atë më shumë se sahabet e tjerë për shkak të afrimitetit të tij nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), dhe jo nga këndvështrimi i përgjithshëm. Ne duhet t’i japim atij hakun që i takon për shkak të afrimitetit të tij nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), por kjo nuk do të thotë që ta privilegjojmë atë me privilegjim të përgjithshëm mbi ata që kanë qenë të hershëm në Islam dhe kanë vend në të më shumë se ky i cili është i afërm i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Kjo sepse gradët dhe meritat janë cilësi me të cilat një njeri dallohet nga një tjetër.

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit nuk e teprojnë në lidhje me familjen e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) –Al el bejt-, ashtu siç e kanë tepruar Rafiditë dhe as nuk fshehin armiqësi kundër tyre, siç bëjnë Nasibitë. Por ata janë të mesëm midis këtyre dy kulmeve. Ua dedikojnë atyre (Al el bejt) të drejtat e tyre për shkak të afrimitetit nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), por nuk i kalojnë kufijtë e tyre që u takojnë.

Rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me të drejtën e evlijave dhe imamëve (dijetarëve)

Imamët (dijetarët) e sheriatit Islam, shyqyr Zotit, janë imamë të njohur, të cilët ymeti i ka lavdëruar dhe i ka pohuar meritat e tyre, por ata nuk besojnë se ata janë të pagabueshëm. Në besimin e Ehli Sunetit dhe Xhematit nuk ka asnjë njeri të ruajtur nga gabimi (të pagabueshëm), as të ruajtur nga mundësia e të aprovuarit e ndonjë gabimi, përveç Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), i cili është i ruajtur nga të aprovuarit e ndonjë gabimi (që sheh apo dëgjon). Ndërsa të tjerët, sado që të arrijë dija dhe imamllëku i tyre, nuk janë kurrë të pagabueshëm.

Të gjithë gabojnë dhe të gjithëve u miret nga fjala e tyre por edhe u lihet, përveç Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), për bindjen ndaj të cilit na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, që t’i bindemi në të gjitha rastet pa përjashtim.

Ata (Ehli Suneti) thonë: Nuk ka dyshim se në këtë ymet ka imamë (dijetarë) dhe evlija (njerëz të dashur të Allahut, besimtarë dhe të devotshëm), por me këtë nuk kemi për qëllim që të pohojmë pagabueshmërinë e ndokujt prej tyre dhe as të pohojmë se ndokush prej tyre e di të fshehtën apo që vepron në kozmos.

Ata gjithashtu nuk e quajnë “uelij” atë njeri i cili i thotë vetes së tij se është “uelij”, apo që sjell pretendime të paqena me qëllim që të tërheqë njerëzit nga vetja e tij (t’i bëjë për vete).

Ata thonë se “uelij” është ai, të cilin e ka përshkruar Allahu në Fjalën e Tij: Nuk ka fare dyshim! Me të vërtetë për Eulijatë e Allahut (të përkushtuarit, besimtarët e vërtetë që i dorëzohen plotësisht Allahut) as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen. Të cilët besuan (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe që gjithnjë e patën frikë Allahun.” [Junus, 62-63].

Këta janë eulijatë: ata të cilët besojnë dhe kanë frikë Allahun e janë të devotshëm. Besimi është Akidja, ndërsa devotshmëria është vepra, qoftë ajo fjalë apo punë.

Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), ka nxjerë një shprehje të bukur nga ky ajet, ku thotë: “Kush është besimtar i devotshëm, ai është uelij i Allahut.”

Ky është “uelij” i vërtetë dhe jo ai që kërkon të bëjë njerëzit për vete, që mbledh farefisin (pasuesit e tij) dhe u thotë se unë bëj kështu e kështu, ndërsa ai ndihmohet nga shejtanët për njohjen e diçkaje të fshehur. Pastaj njerëzit verbohen dhe habiten nga ajo që ai thotë, dhe thonë: Ky është uelij.

Por nuk është kështu sepse uilajeti arrihet me pasimin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), me besimin dhe devotshmërinë e muslimanit. Nëse dikush është besimtar i devotshëm, ai është uelij.

Por megjithatë, nuk është kusht që çdo ueliu Allahu ti japë “keramet” –mrekulli apo shenjë-. Madje ka shumë eulija që nuk kanë keramete, sepse zakonisht kerameti vjen si ndihmues i të vërtetës që ajo të triumfojë, apo që të mposhtë një të kotë, dhe nuk vjen për të ngritur një person të veçantë.

Pra nuk është e domosdoshme që çdo uelij të ketë keramet. Ndodh që një uelij të jetojë dhe të vdesë pa i ardhur asnjë keramet, ose t’i vijnë keramete të njëpasnjëshme, dhe siç kanë thënë dijetarët: çdo keramet që i vjen një ueliji, është argument për vërtetësinë e Pejgamberit që ai pason.

Dhe nuk them “Mu’xhize” –mrekulli-, sepse më saktë është që të quhet shenjë, apo provë, sepse kjo është shprehja e përdorur në Kuran.

“Shenja” është më përfshirëse se “mrekullia”, sepse e para është shenjë për vërtetësinë e asaj me të cilën ka ardhur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), ndërsa e dyta është mund të dalë edhe nga dora e ndonjë magjistari apo e ndonjë njeriu të fortë i cili bën diçka që të tjerët sfidohen dhe nuk mund ta bëjnë. Por të shprehurit e kësaj me “shenjë” është më përfshirës dhe më i përpiktë, dhe kjo është shprehja e Kuranit. Pra që ti quajmë mrekullitë shenja, kjo është më e sakta.

Ekzistojnë disa njerëz në këtë ymet, që siç kemi dëgjuar, pretendojnë se janë eulija, por ai që e sheh gjendjen e tyre, i gjen ata shumë larg nga të qenurit eulija dhe se ata nuk kanë fare pjesë në të, por ata kanë shejtanër të cilët i ndihmojnë këta në gjërat që dëshirojnë dhe me këtë gjë ata mashtrojnë njerëzit e thjeshtë.

Rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në përmirësimin e shoqërisë

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit besojnë se shoqëria Islame nuk mund të jetë e plotë dhe e shëndoshë veçse në të zbatuarit dhe të ecurit me sheriatin e Allahut të Madhëruar. Për këtë shkak ata besojnë në rregullin e të urdhëruarit për mirë dhe ndalimit nga e keqja. E mira është gjithçka që e ka lejuar Sheriati dhe e ka aprovuar atë, ndërsa e keqja është çdo gjë që Sheriati e ka mohuar dhe ndaluar.

Pra ata shohin se shoqëria muslimane nuk mund të përmirësohet veçse duke urdhëruar për mirë dhe ndaluar nga e keqja, pasi që sikur ta humbim këtë element, do të ndodhte përçarje, siç e ka përmendur këtë Fjala e Allahut të Madhëruar: “Le të dalë nga ju një grup njerëzish të përkushtuar që të ftojnë njerëzit te mirësia, të urdhërojnë El-Ma’ruf (të njohurën, Islamin dhe gjithë ç’përmban ai) dhe të ndalojnë El-Munker (mosbesimn, mohimin, besimin në shumë perëndi). Dhe me këta (njerëz) janë ata që janë të fituarit. Dhe mos u bëni si ata të cilët u përçanë dhe u ndanë mes tyre pasi u patën ardhur prova të qarta. Dhe mu për këta do të ketë ndëshkim të madh.” [Al Imran, 104-105].

Por për fat të keq, ky element ka humbur në këtë kohë apo thuajse ka humbur, sepse rrallë gjen njeri që të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja, as brenda një zone të vogël.

Dhe nëse njerëzit lihen kështu, që secili të veprojë atë që do, kanë për t’u përçarë, e nëse urdhërojnë njëri-tjetrin për mirë dhe ndalojnë nga e keqja, ata do të bëhen një grusht i vetëm.

Por nuk është kusht që diçka që ti e sheh të mirë, ta shohë si të tillë edhe dikush tjetër, përveç gjërave në të cilat nuk ka vend për diskutim, ndërsa për gjërat në të cilat ka diskutim; ku unë mund të mendoj se kjo gjë është e mirë ndërsa dikush tjetër mendon ndryshe, në këtë rast vendkthimi është Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Dhe nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtohuni Allahut (Fjalës së Tij – Kur’anit) dhe të Dërguarit të Tij (Sunnetit të Muhammedit a.s.), nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” [En Nisa, 59].

Por rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit në këtë temë të rëndësishme, me të cilën ky ymet është veçuar nga popujt e tjerë, është se ata e shohin urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja prej elementëve rregulluese të shoqërisë muslimane, megjithëse kjo ka nevojë për disa gjëra:

Së pari: Duhet që njeriu (urdhëruesi për mirë) të jetë i ditur për gjykimin e diçkaje, d.m.th. ta dijë se kjo është e mirë dhe kjo e keqe. Por ama që të vijë me injorancë dhe të urdhërojë për diçka që ai mendon se është e mirë, por që në fakt nuk është e tillë, atëherë dëmi i tij është më i madh se dobia e tij.

Ndaj sikur të imagjinonim një njeri i cili është edukuar në një shoqëri e cila beson se një bidat i caktuar është diçka e mirë, dhe më pas ky shkon në një shoqëri tjetër e cila nuk e bën atë bidat. Pastaj ky të ngrihet dhe t’i kritikojë ata për mosveprimin e atij bidati, dhe t’i urdhërojë ata që ta bëjnë atë, kjo gjë është gabim.

Ti nuk duhet të urdhërosh për ndonjë gjë veçse pasi ta dish me siguri se ajo është e mirë në sheriatin e Allahut dhe jo sipas bindjes tënde dhe ambjentit ku je rritur.

Pra duhet patjetër që të njihet gjykimi për një vepër dhe se ajo është vërtet e mirë, pastaj të urdhërosh për kryerjen e saj. Po kështu është edhe me të keqen.

Së dyti: Duhet patjetër të dish se kjo e mirë është lënë pa u kryer dhe kjo e keqe e caktuar është kryer. E sa njerëz ka që urdhërojnë dikë për një të mirë të caktuar, pastaj sheh se ai e bën atë, dhe kështu ai bëhet barrë për tjetrin, madje mund t’i ulë autoritetin në mesin e njerëzve.

Kur shohim udhëzimin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), gjejmë se kjo është rruga e tij.

Një burrë hyri në xhami në ditën e xhuma ndërkohë që Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) po mbante hutben. Ai u ul dhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i tha: “A u fale?” –”Jo”, -tha ai. –”Atëherë ngrihu dhe fal dy rekate!”

Falja e dy rekateve kur hyn në xhami është diçka e mirë padyshim, por megjithatë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e urdhëroi atë menjëherë, para se të dinte që ai nuk i kishte falur ato.

Ti mund të urdhërosh dikë për kryerjen e diçkaje, pastaj sheh se ai e ka kryer atë, dhe kështu shkakton nxitim dhe pamaturi, gjë e cila të ul vlerën. Prandaj pyete dhe sigurohu që nuk e ka bërë, pastaj urdhëroje atë.

Po kështu edhe me gjynahet, dikush mund të ndalojë një person tjetër nga një gjë për të cilën ky mendon se është e keqe, ndërkohë që ajo nuk është e keqe.

Për shembull: Ti sheh një burrë që të falet ulur dhe e ndalon atë nga kjo gjë, duke i thënë se nuk të lejohet të falesh ulur. Ky nuk është veprim i saktë, prandaj pyet një herë përse falet ulur, pasi që ai mund të ketë arsye dhe ti nuk e di, dhe kështu nxiton dhe kjo është ulje e vlerës tënde.

Kjo është gjithashtu diçka e domosdoshme: që të dish gjykimin e sheriatit për diçka dhe të njohësh gjithashtu gjendjen e atij që urdhëron apo ndalon, me qëllim që të jesh i sigurtë për atë që bën.

Së treti: Të mos shkaktohet e keqe më e madhe se dobia kur ti vepron një të mirë, përndryshe, nëse me kryerjen e të mirës shkaktohet dëm më i madh se dobia e asaj vepre, atëherë shtyrja e së keqes është më parësore se tërheqja e së mirës.

Por edhe kjo fjalë e njohur e cila është rregull bazë për të cilin ka argumantuar Kurani, nuk duhet marrë shapllon (prerë, në të gjitha rastet), d.m.th. jo çdo shtyrje e të keqes është më e mirë se tërheqja e së mirës, por kur ato janë të barabarta, atëherë shtyrja e të keqes është më parësore se tërheqja e së mirës, po kështu nëse e keqja është më e madhe, atëherë shtyrja e saj është më parësore. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos i fyej ata (idhujt) që mosbesimtarët i adhurojnë përveç Allahut, që të mos e fyejnë Allahun pa të drejtë e pa asnjë dije.” [El Enam, 108].

Fyerja e idhujve të idhujtarëve është diçka e mirë që të gjithë e dinë dhe në të ka dobi, por nëse kjo e mirë përmban diçka më të keqe –më të keqe në shkallën krahasore por që përballë nuk ka asgjë tjetër-, atëherë ajo duhet të lihet, pasi që nëse i fyejmë idhujt e tyre, dhe këtë e bëjmë me të drejtë, atëherë ata do të fyejnë Allahun pa të drejtë dhe pa dije.

Kjo është një pikë ndaj të cilës duhet të jemi të vëmendshëm kur urdhërojmë për mirë dhe ndalojmë nga e keqja.

Ndërsa në rastin kur e keqja mbulohet nga e mira dhe e mira është më e madhe, atëherë i japim përparësi të mirës. Në këtë gjë ka diçka të madhe prej ligjeve të Allahut fetare dhe krijuese (natyrore).

Për shembull: shiu që bie është i dobishëm për masën e gjerë, ndërsa për dikë që sapo e ka ndërtuar mbulesën e shtëpisë, ai është i dëmshëm, por ky dëm i pakët mbulohet nga e mira e përgjithshme.

Po kështu edhe me ligjet fetare është njësoj si me ligjet natyrore, dhe kjo është diçka për të cilën duhet të jemi të kujdesshëm; se ndoshta nuk mund të jetë prej dobisë që të ndalojmë nga kjo e keqe, për shkak se ai përmban dëm më të madh se dobia që ka, por duhet të matemi mirë deri sa të plotësohen gjërat.

Për këtë shkak, sheriati Islam ka ardhur me shkallëzim në ligjshmëri, me qëllim që njerëzit ta pranonin pak nga pak.

Po kështu edhe me të keqen, ne duhet që të synojnë kurimin e njerëzve deri sa të arrihet qëllimi. Këto janë tre çështje:

  1. Dija për gjykimin e asaj çështje.
  2. Dija për gjendjen e atij që urdhëron apo ndalon.
  3. Kryerja e të mirës të mos shkaktojë të keqe me dëm më të madh.

Fjala e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me Imanin – Besimin

Esenca e Imanit tek pasuesit e sunetit dhe xhematit është: “Bindja e zemrës, fjala e gjuhës dhe vepra e gjymtyrëve.”

Për këtë ata argumentojnë me fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Besimi është shtatëdhjetë e disa degë (gradë). Më e larta e tyre është fjala “la ilahe il-lallah” dhe më e ulta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe besimi është një degë e besimit.”

Fjala është fjala që thotë gjuha: “la ilahe il-lallah”, vepra e gjyntyrëve është largimi i pengesës nga rruga dhe turpi është nga punët e zemrës.

Ndërsa bindjen e zemrës e gjejmë në fjalën e tij (salallahu alejhi ue selem): “Besimi është që të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, ditën e Fudit dhe kaderin për mirë apo për keq.”

Ata (ehli suneti) gjithashtu thonë: Besimi shtohet dhe pakësohet. Vetë Kurani ka argumentuar për shtimin e besimit, dhe logjika e domosdoshme rezulton se çdo gjë që shtohet, edhe pakësohet gjithashtu, pasi që nuk mund të imagjinohet shtim pa pasur kundrejt tij pakësim.

Allahu i Madhëruar thotë: …dhe që besimtarët të shtojnë besimin…” [El Muddethir, 31].

Dhe sa herë zbret ndonjë Sure (pjesë Kur’ani), disa prej tyre (hipokritëve) thonë: “Cilit prej jush iu shtua besimi?” Sa për ata që besojnë, ajo e ka shtuar besimin e tyre dhe ndjejnë kënaqësi.” [Et Teube, 124].

Për këtë nuk ka dyshim, dhe kur ne themi se besimi është fjalë dhe vepër, nuk ka dyshim se fjalët kanë dallim nga njëra tjetra; nuk është njësoj ai që thotë një herë: “subhanallah, uel hamdu lilah, ue Allahu ekber”, me atë që e përsërit këtë më shumë herë.

Po kështu themi se besimi i cili është bindja e zemrës, ndryshon në forcë dhe dobësi, ndaj Ibrahimi (alejhi selam) ka thënë: Kujto edhe Ibrahimin kur ai tha: “Zoti im! Më shfaq mua se si Ti i ngjall të vdekurit.” Allahu iu përgjigj: “A nuk beson?” Ibrahimi i tha: “Po, besoj, por dua të më qetësohet zemra (e të kem besim të fortë).” [El Bekare, 260]. Pra, njoftimi nuk është njësoj si të shikuarit me sytë e tu dhe të qenurit prezent.

Një burrë merr vesh një lajm nga një burrë i vetëm, dhe tek ky ngel diçka nga ky lajm. Nëse vjen një burrë i dytë dhe e njofton për të njëjtin lajm, atij i forcohet besimi dhe nëse vjen një i tretë, i forcohet edhe më shumë, e kështu…

Prandaj, ne themi se besimi shtohet dhe pakësohet edhe në vetë bindjen e zemrës. Kjo është diçka që e di çdo njeri në vetveten e tij.

Ndërsa ai i cili e mohon shtimin dhe pakësimin e besimit, ai kundërshton edhe sheriatin edhe realitetin.

Pra, besimi shtohet dhe pakësohet (shtohet me bindje dhe devotshmëri, dhe pakësohet me gjynahe dhe ligësi).

Me këtë u plotësua ajo që dëshironim të thonim, dhe lusim Allahun të na japë sukses!

Paqja dhe salavatet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjet dhe shokët e tij!


[1] Pjesë nga hadithi të cilin e transmeton Muslimi, Kap. i Dijes.