Cilësitë e Allahut të Lartësuar

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


 

Dijetarët e Hadithit[1] (Allahu i ruajtë të gjallët dhe i mëshiroftë të vdekurit prej tyre!) dëshmojnë se Allahu i Lartësuar është Një dhe se Muhamedi është Lajmëtar dhe i Dërguar i Allahut (nebij dhe resul). Ata e njohin Zotin e tyre me ato cilësi të cilat janë shprehur në Shpalljen dhe Librin e Tij, apo për të cilat ka dëshmuar i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Hadithet e sakta që na janë përcjellë prej njerëzve të drejtë e të besueshëm nga ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Ata pohojnë për Allahun e Lartësuar çdo gjë që Ai e ka pohuar për Veten e Tij, në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nuk besojnë se Cilësitë e Allahut i përngjasojnë cilësive të krijesave të Tij.

Ata thonë: Allahu e ka krijuar Ademin (alejhi selam) me Dy Duart e Tij, siç e ka shprehur këtë në Fjalën e Tij:

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij, të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Ata nuk e ndryshojnë fjalën nga domethënia e saj, duke thënë (p.sh.) se Dy Duart e Allahut janë dy mirësitë e Tij, apo dy Fuqitë e Tij, ashtu siç kanë bërë mu’tezilitë[2]dhe xhehmijet[3] (Allahu i shkatërroftë!), as nuk i përshkruajnë ato të Dyja (Duart e Allahut) me ndonjë formë dhe as nuk i krahasojnë Ato me duart e krijesave, siç i krahasojnë mushebbihitë[4] (Allahu i fëlliqtë!).

Ndërsa pasuesit e Sunetit[5], Allahu i ka ruajtur nga tahrifi[6] (ndryshimi i domethënies së fjalës), nga tashbihi (krahasimi) dhe nga tekjifi (përshkrimi e përshtatja), si dhe u ka dhënë atyre njohuri e kuptim nga Mirësia e Tij.

Ata ndoqën rrugën e Njësimit dhe pastrimit të Allahut (nga ajo që nuk i përshtatet) dhe u larguan nga ta’tili (heqja dhe zhveshja e Allahut prej atyre cilësive) dhe nga teshbihu (krahasimi), duke ndjekur Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura: 11].

Po ashtu, Kurani i ka përmendur Dy Duart e Allahut të Lartësuar, si në Fjalën e Allahut:

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Gjithashtu i ka përmendur në Fjalën e Allahut:

“Përkundrazi, të Dyja Duart e Tij janë të shtrira. Ai shpenzon nga Begatitë e Tij siç do Ai.” [El Maide: 64].

Gjithashtu, janë transmetuar Hadithe të sakta nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!),  të cilat përmendin Dorën e Allahut, siç është Hadithi i dialogut ndërmjet Musait dhe Ademit (alejhima selam) kur Musai i tha:

“Allahu të ka krijuar ty me Dorën e Tij dhe ka urdhëruar engjëjt që të bëjnë ty sexhde…”[7]

Apo siç është Hadithi Kudsi, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“…Unë nuk i barazoj ata të mirët prej pasardhësve të atij që krijova me Dy Duart e Mia, me atë që i thashë bëhu dhe ai u bë (engjëjt).”[8]

Dhe Hadithi:

“Allahu e ka krijuar Firdeusin me Dorën e Tij.”[9]

Po kështu, ata (pasuesit e Sunetit) thonë për të gjitha Cilësitë e Allahut të cilat i ka përmendur Kurani dhe Hadithet e sakta, si p.sh. Dëgjimi i Allahut, Shikimi dhe Syri i Tij, Fytyra e Tij, Dija, fuqia dhe plotfuqishmëria për çdo gjë, krenaria dhe madhështia, dëshira dhe vullneti, të folurit e Allahut dhe Fjala e Tij, pëlqimi dhe pakënaqësia e Tij, dashuria dhe urrejtja, gëzimi dhe qeshja e Tij, e të tjera Cilësi të Allahut të Lartësuar. Ata i besojnë këto pa i krahasuar me ato të krijesave, por duke qëndruar në kufijtë të cilat i ka vënë Allahu dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa shtuar mbi ato, pa i përshkruar, pa i krahasuar me ato të krijesave, pa e shtrembëruar kuptimin apo shprehjen e tyre, pa i ndërruar me diçka tjetër, pa e zhveshur fjalën nga kuptimi i saj i njohur dhe i përdorur në gjuhën arabe, duke e shpjeguar atë me ndonjë komentim të paqënë e të refuzuar.

Por ata ndjekin kuptimin e drejtpërdrejtë të këtyre ajeteve apo Haditheve dhe e lënë dijen e hollësishme të tyre tek Allahu i Lartësuar, duke pohuar që shpjegimin e të Vërtetës (formën, mënyrën etj.) së tyre, nuk e di kush përveç Allahut, ashtu si na ka treguar Allahu i Lartësuar për dijetarët e vërtetë, në Fjalën e Tij:

“Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: Ne besojmë në të (Kuranin); i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Dhe nuk marrin mësim veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].


[1] Dijetarët e Hadithit janë të kapurit për Librin e Allahut të Lartësuar dhe ndjekësit e rrugës së të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Esh Shehristani në librin “El milel uen nihal” thotë: “Janë quajtur ithtarë të Hadithit sepse ata kujdeseshin për gjetjen e Haditheve dhe të transmetimeve që vinin nga të parët, pastaj nxirrnin ligjet e dispozitat në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tekstet e tyre, duke mos u kthyer te kijasi (shëmbëlltyra e çështjeve me njëra-tjetrën) apo te logjika e tyre, vetëm në rast se nuk gjenin Hadith apo fjalë të Sahabeve. Sipas kësaj domethënieje, ata janë ndryshe nga pasuesit e logjikës dhe e të kuptuarit të tyre.

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në sqarimin e asaj që është për qëllim me shprehjen “Ehlul Hadith” thotë: “Me shprehjen “Ehlul Hadith”, ne nuk kemi për qëllim thjesht ata që mjaftohen me të dëgjuarit e tij, të shkruarit apo të transmetuarit e tij, por kemi për qëllim me këtë shprehje të gjithë ata të cilët garojnë në mësimin e Haditheve përmendësh, i njohin dhe i kuptojnë ato me perceptim gjithpërfshirës; të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.”   …=

=… Më pas tregon diçka nga vlera e tyre, duke thënë: “Veçoria më e afërt tek ata, është dashuria për Kuranin dhe Hadithin, kërkimi për gjetjen e tyre dhe të domethënies së tyre, si dhe të vepruarit sipas asaj që mësojnë prej tyre. Për këtë shkak, fukahatë –juristët-, të cilët janë dijetarë të Hadithit, e njohin të Dërguarin e Allahut më mirë se fukahatë e tjerë. Po kështu edhe prijësit prej tyre, e njohin politikën profetike më mirë se të tjerët, dhe populli i thjeshtë prej tyre, ka më shumë të drejtë se të tjerët në dashurinë e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). [Mexhmuul fetava: 4/95].

Në një vend tjetër thotë: “Ehlul Hadith” janë selefët e tre brezave të parë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.” [Mexhmuul fetava: 6/355].

[2] Mutezilitë janë një prej grupeve të humbura, të cilët janë shfaqur në kohën kur Vasil ibën Atai nxori bidatin e tij, duke thënë se Fasiku-ai që bën harame të mëdha- është në një vend të mesëm midis kufrit dhe imanit (mosbesimit dhe besimit) dhe për këtë shkak, Hasen el Basriu e largoi atë nga mësimet e tij. Atëherë ai u veçua në një prej cepave të xhamisë së Basras dhe atij iu bashkua shoku i tij, Amër ibën Ubejd ibën Bab. Atëherë njerëzit thanë se ata të dy u veçuan (itezela) nga fjala e popullit, ndërsa pasuesit e tyre i quajtën që atë ditë me termin “mu’tezili”.

Ky emërtim përfshin një numër të madh grupesh të cilat i bashkojnë me njëra-tjetrën në bidatin e tyre disa çështje prej të cilave po përmendim: Mohimi i cilësive të përhershme të Allahut të Lartësuar, mohimi i të shikuarit Allahun me sy (në Ditën e Kijametit), thënia se Fjala e Allahut është e krijuar, thënia se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka dorë e caktim në to (prej këtu janë quajtur “kaderije”), thënia se fasiku është në një vend të mesëm midis dy vendeve, etj.

[3] Xhehmijet janë pasuesit e Xhehëm ibën Safvan. Bidati i tij është shfaqur në Tirmidh. Atë e vrau Selem ibën Ahvez el Mazini në Merva, nga fundi i sundimit të Beni Umejjes.

Ai u bashkangjitet mu’tezilive në mohimin e cilësive të përhershme të Allahut, mohimin e shikimit te Ai dhe se Fjala e Allahut është e krijuar.

Por ai ka shtuar edhe disa fjalë të tjera, si: Thënia e tij se nuk lejohet që Allahu të cilësohet me një cilësi, me të cilën mund të cilësohet edhe njeriu, sepse sipas tyre, kjo do të thotë ta krahasosh Allahun me krijesat. Kështu, ai mohoi të qënurit e Allahut i Gjallë e i Ditur dhe pohoi se Ai është i Mundshëm, Veprues dhe Krijues. Ai thotë gjithashtu se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe nuk ka të drejtë të zgjedhë e të veprojë dhe se Xheneti e Xhehenemi do të shuhen e do të kenë fund.

Spas tij, Imani është njohja e Allahut dhe se ai është njëlloj te të gjithë besimtarët (nuk shtohet e nuk pakësohet). [Marrë nga libri “El Milel uen nihal” i Shehristanit (Allahu e mëshiroftë!)].

[4]Mushebbihitë janë ata që e krahasojnë Allahun me krijesat e Tij. Krahasimi është dy llojesh: I pari është krahasimi i krijesave me Krijuesin, siç kanë krahasuar të krishterët Isain me Allahun, apo siç kanë krahasuar idhujtarët idhujt e tyre me Allahun.

Lloji i dytë i krahasimit është krahasimi i Krijuesit me krijesat e Tij, siç është fjala e mushebbihive se Allahu ka Dorë dhe ajo është si dora jonë, apo se Ai dëgjon si ne (I Lartë është Allahu ngo ajo që i përshkruajnë). [Et tenbihat es senije ala el akide el vasitije: f. 13].

El Bagdadi përmend se mushebbihitë, ata të llojit të dytë të krahasimit, janë dy grupe: njëri krahason Qënien e Allahut me atë të krijesave dhe tjetri krahason Cilësitë e Allahut me ato të krijesave. [El ferku bejnel firak: f.214].

[5] “Pasuesit e Sunetit” janë të kapurit për rrugën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokëve të tij. Imam Ibën Tejmije, në librin “El Akide el Uasitije”, duke sqaruar rrugën e pasuesëve të Sunetit thotë: Prej Rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit është pasimi i gjurmëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në kuptimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të tyre, si dhe pasimi i i rrugës së emigruesëve të parë dhe ensarëve (ndihmuesëve të tyre në Medine). Ata janë pasuesit e amanetit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili ka thënë: “Kapuni për Sunetin (rrugën) time dhe rrugën e halifëve të drejtë e të drejtëudhëzuar që do jenë pas meje! Kapuni për të dhe shtrëngojeni fortë me dhëmballë!”. Ata e dinë se fjala më e vërtetë është Fjala e Allahut dhe se udha më e mirë, është ajo e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata i japin epërsi Fjalës së Allahut mbi fjalën e çdokujt prej njerëzve dhe udhës së Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbi udhën e çdokujt tjetër. Për këtë shkak janë quajtur “Ehlul Kitabi ues Suneh.” Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!).

[6] Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë), në librin “Muhtesar es sauaik elmurseleh”, thotë: “Tahrifi (shtrembërimi) është dy llojesh: Shtrembërim i vetë shprehjes dhe shtrembërim i kuptimit të asaj shprehjeje. Shtrembërimi i shprehjes është të ndërruarit e saj me një tjetër, duke shtuar a  hequr një shkronjë, apo duke ndryshuar një shenjë e cila ndikon në analizën e fjalisë, apo që nuk ndikon në analizën e fjalisë por që e ndryshon shprehjen. Këto janë katër lloje në të cilat u zhytën Xhehmijet dhe Rafiditë. Ata i ndryshuan shprehjet e Haditheve (duke shpifur Hadithe të paqëna) por nuk mundën ta bëjnë këtë me shprehjet e Kuranit edhe pse rafiditë, në fakt, kanë ndryshuar shumë prej shprehjeve të Kur’anit dhe thonë se Ehli Suneti e kanë ndryshuar atë nga origjina e tij. Ata pretendojnë se kanë Kuran të ndryshëm nga ky që njohin muslimanët dhe se atë e kanë trashëguar nga Sahabet.

Ndërsa shtrembërimi i kuptimit të fjalës, është fusha në të cilën u hapën më së shumti dhe e quajtën atë ta’vil (shpjegim me gjëra të tjera, komentim). Por ky emërtim është diçka e keqe dhe e re të cilën nuk e ka njohur gjuha arabe dhe me të është për qëllim shtrembërimi i kuptimit të fjalës nga origjina dhe e vërteta e saj, dhe dhënia kuptim tjetër asaj fjale, sipas përafërsisë kuptimore të  fjalëve…”

[7] Transmetimi i këtij Hadithi do të vijë më pas.

[8] Këtë Hadith e ka nxjerrë Bejhakiu në librin “El Esmau ues Sifat” dhe Ed Dujlemi në librin “El Firdeus”, nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

E ka transmetuar gjithashtu, Taberani në “El Kebijr” nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Në fillim të këtij Hadithi thuhet: “Engjëjt thanë: O Zoti ynë! Ti i ke dhënë bijëve të Ademit dunjanë në të cilën ata hanë e pinë, u hipin kafshëve e vishen me rroba të mira, ndërsa ne të adhurojmë Ty dhe nuk hamë e pimë dhe as luajmë. Ashtu si u ke dhënë atyre dunjanë, na e jep neve botën tjetër! Allahu tha: Nuk ua jap…”

[9] E ka nxjerrë Darakutni dhe Bejhakiu, nga Harith ibën Nofel. Hadithi i plotë është: “Allahu i Madhëruar ka krijuar tre gjëra me Dorën e Tij: Ka krijuar Ademin me Dorën e Tij, ka shkruar Teuratin me Dorën e Tij dhe ka mbjellë Firdeusin me Dorën e Tij.”