PËRMENDJA E ALLAHUT (DHIKRI)

 


Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


 

Gjithë fjalët falënderuese dhe lavdëruese i përkasin Allahut. Atij i takojnë cilësitë më të përsosura dhe emrat më të bukur. Dhikër quhet përkujtimi i Allahut me gojë apo me zemër duke e falënderuar, lavdëruar dhe madhëruar Atë. Ai na ka urdhëruar ta përmendim Atë gjithmonë dhe kudo. Allahu i Madhëruar u drejtohet në Kuran besimtarëve dhe u thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا و سَبِحوه بكرةً و أصِيلاً

“O ju që keni besuar! Përkujtoheni Allahun sa më shpesh dhe madhërojeni Atë në mëngjes dhe mbrëmje”. (El-Ahzabë, 41-42).

Nëse dikush e kujton Allahun, vetë Allahu e kujton atë njeri. Në lidhje me këtë, në Kuran thuhet:

فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُوا لِي وَلاَ تَكْفُرُونِي

Pra më kujtoni Mua (me adhurime), t’ju kujtoj dhe Unë (me shpërblim). Më falënderoni Mua e mos më mohoni”. (El-Bekare, 152).

Në një hadith kudsij Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu thotë: “Unë jam tek robi Im, aq sa ai pret prej Meje. Unë jam me të kur ai më kujton Mua. Nëse ai më kujton me zemrën e tij, Unë e kujtoj atë tek vetja Ime dhe nëse ai më kujton Mua në një xhemat, Unë e përmend atë në një xhemat më të madh se ai i tij. Nëse ai më afrohet Mua një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një krahë dhe nëse ai më afrohet Mua një krah, Unë i afrohem atij një pash. Nëse ai më vjen Mua duke ecur, Unë rend drejt tij me një shpejtësi të madhe”. [1] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Allahu ka bërë një dallim të veçantë për ata që e përkujtojnë Atë. Në lidhje me këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Të devotshmit (El Muferidunë) ua kanë kaluar të gjithëve”. Ata që kanë qenë pranë kanë pyetur: “Kush janë këta njerëz të veçantë o i Dërguar i Allahut?!” Ai është përgjigjur: “Ata burra dhe gra, që e përkujtojnë shpesh Allahun”.[2] Transmeton Muslimi.

Këta janë njerëzit që kanë jetuar në të vërtetë. Ata kanë qenë të gjallë duke e kujtuar sa më shumë Zotin, Krijuesin e botërave.

Ebu Musa transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ngjashmëria e atij personi që kujton Allahun dhe e atij që nuk e kujton Atë është si i gjalli me të vdekurin”.[3] Transmeton Buhariu.

Përkujtimi i Allahut është themeli i veprave të mira. Kushdo që e ndjek atë, është i bekuar me një shoqëri të afërt prej Allahut. Kjo është arsyeja përse Profeti (a.s.) e përmendte Allahun gjatë gjithë kohës. Një burrë ishte ankuar te Profeti (a.s.) se ligjet e Islamit ishin të rënda për të dhe kishte kërkuar t’i tregonte diçka që mund ta kryente lehtësisht. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Bëj që gjuha jote të jetë gjithmonë e preokupuar me përmendjen e Allahut”.[4]

Profeti (a.s.) shpesh u tregonte shokëve të tij: “A doni t’ju tregoj për veprën më të mirë, më të pastër tek Zotit juaj, rreth asaj që është në rangun më të lartë dhe është shumë më e mirë se shpenzimi i arit apo argjendit, rreth asaj që është më e mirë për ju se përballja me armikun në fushën e betejës, ku ju qëlloni në qafat e tyre dhe ata në tuajat?” Shokët i janë përgjigjur: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Atëherë Profeti i Allahut ka thënë: “Përmendja e Allahut”.[5] Transmeton Tirmidhiu, Ahmedi dhe Hakimi, i cili e konsideron zinxhirin e transmetuesve të vërtetë.

Përmendja e Allahut është gjithashtu një mënyrë për të shpëtuar nga zjarri i xhehenemit.

Muadhi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Asnjë veprim tjetër i njeriut nuk është mjet më efektiv për të shpëtuar nga dënimi i Allahut, sesa përmendja e Tij”.[6] Transmeton Ahmedi.

Po ashtu, Ahmedi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo gjë që ju thoni duke madhëruar Allahun, duke përmendur njëshmërinë e Tij, duke e falënderuar Atë, të gjitha këto mblidhen rreth Fronit të Allahut. Këto fjalë kumbojnë si gumëzhima e bletëve dhe përmendin njeriun që i ka thënë ato për Allahun. A nuk doni të keni diçka që t’ju përmendë juve në prani të Allahut?”[7]

 

Sa dhikër është e nevojshme të bëhet?

Allahu i Lartësuar ka urdhëruar se Ai duhet të përmendet sa më shumë. Duke përshkruar burrat dhe gratë e ditura që janë thelluar në argumentet e Krijuesit, Allahu thotë:

الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللَّهَ قِيَامًا وَقُعُودًا وَعَلَى جُنُوبِهِمِْ

“Ata e përmendim Allahun kur janë në këmbë, ulur dhe kur janë shtrirë…” (Ali Imran, 191) dhe

وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيرًا وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا

“Nuk ka dyshim se për burrat dhe gratë që e përmendin shumë Allahun, Ai ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh”. (El-Ahzabë, 35).

Në lidhje me këtë Muxhahidi shpjegon se njeriu nuk mund të jetë prej atyre që e përmendin shumë Allahun, siç u përmend në ajetin e mësipërm kuranor, vetëm nëse ai e përmend Atë në çdo kohë, në këmbë, ulur apo shtrirë.

Kur është pyetur Ibën Salahu se sa dhikër duhet bërë për t’u konsideruar si njëri prej atyre që e përmendin shumë Allahun, ai ka thënë: “Për të qenë prej atyre që konsiderohen se e përmendin shumë Allahun duhet të bëhen rregullisht lutjet e mëngjesit dhe mbrëmjes dhe në pjesët e tjera të ditës e natës, siç transmetohet prej Profetit (a.s.)”.

Në lidhje me ajetin e mësipërm kuranor, Ali ibën Ebi Talha transmeton se Ibën Abasi ka thënë: “Të gjitha detyrimet e vendosura për njeriun nga Allahu janë mjaft të dallueshme dhe ndonjë njeri mund të jetë i përjashtuar për ndonjërën prej tyre, në rast se ekziston ndonjë shkak i vërtetë, përveç dhikrit. Allahu nuk ka vendosur ndonjë kohë të veçantë për të dhe në asnjë rrethanë nuk jemi të lejuar ta shpërfillim atë. Ne jemi urdhëruar ta përmendim Allahun në këmbë, ulur, shtrirë, në mëngjes, gjatë ditës, në det apo në tokë, në udhëtim apo në shtëpi, në varfëri dhe në pasuri, në gjendje sëmundjeje apo shëndeti, në mënyrë të hapur apo të fshehtë dhe në çdo gjendje qofshim”.

 

Dhikri i përmbledh të gjitha adhurimet

Seid ibën Xhubejr ka thënë: “Çdo njeri që e bën një punë për hir të Allahut duke iu nënshtruar Atij, ai konsiderohet se e përmend Allahun”.

Disa prej dijetarëve të hershëm e kanë lidhur dhikrin me disa forma më të veçanta. Atau ka thënë: “Grupet e dhikrit janë mexhliset ku diskutohen gjërat e lejueshme dhe të ndaluarat, si për shembull: shitja, blerja, falja, argjërimi, martesa, divorci, haxhi etj”.

Kurtubiu ka thënë: “Kuvendet e dhikrit janë kuvendet ku diskutohen çështjet e dijes dhe adhurimit, Fjala e Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij. Në to diskutohet për rrugën e drejtë që kanë ndjekur të parët tanë të drejtë dhe thëniet e dijetarëve të shquar që janë mësuar dhe praktikuar pa asnjë shtim apo risi dhe pa asnjë motiv apo lakmi të skajshme”.

 

Edukata e dhikrit

Qëllimi i dhikrit është pastrimi i zemrës, shpirtit dhe zgjimi i ndërgjegjes së njeriut. Rreth kësaj flet dhe ajeti kuranor:

وَأَقِمْ الصَّلاَةَ إِنَّ الصَّلاَةَ تَنْهَى عَنْ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ

“Fale namazin, se me të vërtetë ai largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)”. (El-Ankebutë, 45).

Me fjalë të tjera, përmendja e Allahut ka një ndikim më të madh në ndalimin e veprave të këqija e të padrejta sesa vetë falja e namazeve. Kjo është kështu, sepse kur një rob i hap zemrën Zotit të tij, duke e lavdëruar Atë, Allahu e forcon atë me dritën e Tij. Në këtë mënyrë rritet besimi dhe bindja ndaj Tij, qetësohet mendja dhe zemra e besimtarit. Kjo i referohet thënies së Allahut të Madhëruar:

الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ اللَّهِ أَلاَ بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ

“Zemrat e besimtarëve qetësohen kur përmendin Allahun. S’ka dyshim se përmendja e Allahut i qetëson zemrat”. (Er-Rrad, 28).

Kur zemrat kënaqen me të vërtetën, ato kthehen tek idealet më të larta pa u ndikuar nga impulset e dëshirës dhe të epshit. Kjo thekson rëndësinë e dhikrit në jetën e njeriut. Qartësisht do të ishte e palogjikshme të presësh këto rezultate vetëm nga shqiptimi i disa fjalëve, sepse fjalët e gjuhës të pambështetura në dëshirën e zemrës janë pa asnjë rëndësi. Allahu na ka mësuar mënyrën se si ne duhet ta kujtojmë atë, duke na u drejtuar:

وَاذْكُرْ رَبَّكَ فِي نَفْسِكَ تَضَرُّعًا وَخِيفَةً وَدُونَ الْجَهْرِ مِنْ الْقَوْلِ بِالْغُدُوِّ وَالآصَالِ وَلاَ تَكُنْ مِنْ الْغَافِلِينَ

“Përmende Zotin tënd (heshtazi) me respekt e me ndrojtje dhe jo me me zë të lartë! Përmende Atë në mëgjes e në mbrëmje dhe mos u bë prej atyre që nuk janë të kujdesshëm!”. (El-Arafë, 205).

Ky ajet tregon se dhikri në heshtje dhe pa e ngritur zërin është më i mirë. Njëherë, gjatë një udhëtimi, Profeti (a.s.) ka dëgjuar një grup muslimanësh që po luteshin me zë të lartë. Për këtë Profeti (a.s.) u tha: “Përmbahuni o njerëz! Ju nuk po i drejtoheni dikujt që nuk ju dëgjon apo nuk është i pranishëm. Me siguri, Ai që ju po i drejtoheni është shumë afër jush dhe i dëgjon të gjitha”.[8]

Ky hadith nënvizon dashurinë dhe respektin që duhet të ndjejmë kur jemi të abgazhuar me përmendjen e Allahut.

Një pjesë e kësaj etike është edhe kushti se njeriu që dëshiron të bëjë dhikër duhet të jetë i pastër në trup, veshje dhe të jetë lyer me erë të mirë. Kjo i jep atij një zell dhe freski e ai do të ndihet i gjallëruar. Gjithashtu, gjatë dhikrit duhet të drejtohemi nga Qabja për sa mundësi kemi, sepse tubimet më të mira janë ato që janë në drejtim të Qabes.

 

Vlera e grupeve të dhikrit

Është e pëlqyeshme ulja nëpër kuvendet ku praktikohet përmendja e Allahut. Një gjë e tillë tregohet nga hadithet e mëposhtme:

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur të kaloni pranë kopshteve të xhenetit, shfrytëzojini ato për veten tuaj”. Shokët e pyetën: “Cilat janë kopshtet e xhenetit, o i Dërguar i Allahut?” Profeti (a.s.) është përgjigjur: “Grumbullimet në të cilat bëhet dhikër. Ka disa engjëj të Allahut që shëtisin për të gjetur grupe të tilla dhikri dhe kur i gjejnë, i rrethojnë ata”.[9]

Muslimi transmeton se Muavija ka thënë: “Profeti (a.s.) kaloi tek një grup prej shokëve të tij që po përmendnin Allahun bashkarisht dhe i pyeti: “Çfarë ju shtyu që të uleshit këtu?” Ata thanë: “Ne jemi ulur këtu për të përmendur Allahun e ta falënderojmë Atë, sepse Ai na udhëzoi në rrugën e Islamit dhe na ka dhuruar shumë mirësi”. Pasi i dëgjoi, Profeti (a.s.) u betua atyre për Allahun dhe i pyeti nëse ky ishte i vetmi qëllim i uljes së tyre atje. Ata pohuan: “Për Zotin, ne jemi ulur këtu vetëm për këtë arsye!” Pasatj Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë nuk ju betova për shkak të ndonjë keqkuptimi ndaj jush, por vetëm sepse Xhebraili erdhi tek mua dhe më informoi se Allahu i Lartësuar po u tregonte engjëjve se Ai është krenar për ju”.[10]

Ebu Seid El Hudri dhe Ebu Hurejra transmetojnë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur një grup njerëzish përmendin Allahun, engjëjt i rrethojnë ata dhe i mbulojnë me mëshirë. Qetësia zbret mbi ta dhe Allahu i përmend tek të tjerë që janë me Të”.[11]

 

Vlera e shqiptimit të fjalës “La ilahe il-Allah” për atë që e thotë sinqerisht

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur robi i Allahut thotë sinqerisht fjalën “La ilahe il-Allah”, dyert e qiellit hapen për këtë fjalë derisa të arrijnë në Fronin e Allahut për aq kohë sa ai që i thotë qëndron larg mëkateve të mëdha”.[12] Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen garib.

Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ripërtërijeni besimin tuaj!”. Ata që ishin me të e pyetën se në ç’mënyrë duhet ta ripërtërinin besimin. Profeti (a.s.) u është përgjigjur: “Thoni sa më shpesh La ilahe il-Allah”.[13] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të fortë transmetuesish.

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dhikri më i mirë është La ilahe il-Allah dhe lutja më e mirë është El-hamdulilah”.[14] Transmeton Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Hakimi, i cili e konsideron të vërtetë vargun e transmetimit.

 

 

Vlera e Tesbihut,[15] Tehmidit,[16] Tehlilit,[17] Tekbirit[18] dhe lutjeve të tjera

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Janë dy shprehje, të cilat janë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në shkallën e shpërblimit dhe më të dashurat tek Mëshiruesi. (Ato janë) Subhane Allah ue bihamdihi subhane Allah el-Adhim” (Të gjitha lavdërimet, madhërimet dhe falënderimet i përkasin vetëm Allahut).[19] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu.

Ebu Hurejra transmeton gjithashtu se Profeti (a.s.) ka thënë: “Fjalët Subhanallah, El-hamdulilah, La ilahe il-Allah dhe Allahu Ekber janë më të dashura për mua se gjithçka që dielli ndriçon”.[20] Transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu.

Ebu Dherri transmeton se Profeti (a.s.) i është drejtuar atij dhe i ka thënë: “A do që të tregoj fjalët që janë më të dashura për Allahun?” Unë i thashë: “Po, më trego o i Dërguari i Allahut”. Ai ka thënë: Fjalët më të dashura tek Allahu janë: Subhane Allah ue bihamdihi”.[21] (I Lavdëruar është Allahu dhe të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Atij). Ky hadith është transmetuar nga Muslimi dhe Tirmidhiu. Në versionin e Tirmidhiut, gjejmë frazën e mëposhtme: “Fjalët më të dashura tek Allahu, që Ai i ka zgjedhur për engjëjt e Tij janë: Subhane rabbi ue bihamdihi, subhane rabbi ue bihamdihi.[22] (I Lavdëruar është Zoti dhe falënderimet i takojnë vetëm Atij! I Lavdëruar është Zoti dhe falënderimet i përkasin vetëm Atij!)”.

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Kushdo që thotë Subhane Allah el-Adhim ue bihamdihi, për të do të mbillet një palmë në xhenet.[23] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Seidi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kryeni sa më shpesh vepra të mira që janë më me peshë”. Njerëzit që ishin me të e pyetën: “Cilat janë veprat më me peshë o i Dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) u ka thënë: Tekbiri, Tehlili, Tesbihu, Tehmidi dhe La haule ue la kuvete ila bilah.[24][25] Ky hadith transmetohet nga Nesaiu dhe Hakimi, të cilët e konsiderojnë të vërtetë vargun e transmetuesve të këtij hadithi.

Abdullahu transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gjatë udhëtimit tim Natën e Israsë takova Ibrahimin, i cili më tha: “O Muhammed! Përcilli përshëndetjet e mia umetit tënd dhe tregoju atyre se xheneti është prej tokës së pastër; uji i tij është i ëmbël dhe hapësira e tij është madhështore, e gjerë dhe e sheshtë. Bimët e tij janë Subhane Allah ue El-Hamdulilah ue La ilahe il-Allah ue Allahu Ekber”.[26] Transmeton Tirmidhiu dhe Tabaraniu, versioni i të cilit gjithashtu përmban ue la haule ue la kuvete ila bil-lah.

Semura ibën Xhundub transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shprehjet më të dashura tek Allahu janë katër: Subhanallah, El-Hamdulilah, La ilahe il-Allah dhe Allahu Ekber. Nuk ka asnjë problem se nga cila e fillojmë radhën për të përmendur Allahun.[27] Transmeton Muslimi.

Gjithashtu, Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare, ato do të mjaftojnë për të”.[28] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo shpjegohet me faktin se këto dy ajete do t’i mundësojnë atij një shpërblim të barabartë me një namaz nate dhe ai do të jetë i mbrojtur gjatë asaj nate prej çdo të keqeje. Ibën Huzejme e ka përmendur këtë hadith në Sahihun e tij.

Ebu Seidi transmeton se Profeti (a.s.) i ka pyetur sahabët: “A ka mundësi ndonjëri prej jush të lexojë një të tretën e Kuranit gjatë një nate?” Shokët, duke e konsideruar këtë mjaft të vështirë, kanë thënë: “E kush prej nesh mund ta bëjë këtë o i Dërguari i Allahut?!” Pastaj Profeti (a.s.) ka thënë: “Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As ka lindur kënd e as nuk është i lindur prej kujt. Askush nuk i është i barabartë me Të.[29][30] Transmetohet nga Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu.

Po ashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që thotë njëqind herë gjatë një dite: “La ilahe il-Allah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir”,[31] do të ketë një shpërblim të barazvlefshëm me lirimin e dhjetë skllevërve. Përveç kësaj njëqind vepra të mira do të shënohen për të dhe njëqind vepra të këqija do t’i fshihen. Ai person do të jetë i mbrojtur prej shejtanit atë ditë deri në mbrëmje dhe asnjë nuk mund të jetë më vepërmirë se ai, me përjashtim të atij që bën më tepër se kjo”.[32] Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Në versionin e Muslimit, Tirmidhiut dhe Nasaiut ne gjejmë këtë shtesë: “Dhe kushdo që thotë Subhane Allah ue bihamdihi njëqind herë gjatë ditës, të gjitha mëkatet e tij do të fshihen, edhe nëse janë aq shumë sa shkuma e detit”.

 

Vlera e Istigfarit[33]

Enesi transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë se Allahu i Madhëruar ka thënë: “O biri i Ademit! Çfarëdo gjëje që kërkon apo shpreson prej Meje, Unë do ta fal. O biri i Ademit! Edhe nëse mëkatet e tua arrijnë deri në qiell dhe pastaj ti kërkon faljen Time, Unë do të fal ty. O biri i Ademit! Nëse ti ke një botë me mëkate, por më takon Mua pa më shoqëruar asgjë, përsëri Unë do të fal ty”.[34] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin hasen sahih.

Abdullah ibën Abasi ka thënë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush i kërkon falje Allahut vazhdimisht, Ai ka për t’ia lehtësuar atij çdo dhimbje e vështirësi dhe e furnizon atë në mënyra tërësisht të pamenduara”.[35] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Hakimi, i cili thotë se vargu i transmetuesve të këtij hadithi është i vërtetë.

 

Disa forma të përgjithëshme të dhikrit

Xhuejrija[36] transmeton se Profeti (a.s.) është larguar nga banesa e saj në mëngjes (ndërkohë që ajo ishte e zënë me faljen e agimit në vendin e saj të adhurimit). Ai është kthyer përsëri para drekës, ndërkohë që ajo ka qenë ende ulur atje. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Ti ke qëndruar në të njëjtin vend që kur u largova unë?!” Ajo ka thënë: “Po”. Pas kësaj Profeti (a.s.) i ka thënë: “Unë kam thënë katër fjalë nga tre herë secilën pasi u largova dhe nëse këto fjalë do të viheshin në peshore me ato që ke thënë ti nga mëngjesi deri tani, ato fjalë do të të rëndonin më shumë. (Këto fjalë janë) Subhane Allah ue bihamdihi adede khalkihi ue rida nefsihi ue zinete arshihi ue midade kelimatihi.[37] (I Madhëruar është Allahu! Falënderimet i takojnë vetëm Atij deri në shkallën e numrit të krijimit të Tij, deri në kufirin e Tij të kënaqësisë, deri në masën e peshës së fronit të Tij dhe deri në sasinë e bojës së përdorur për të shkruar fjalët falënderuese për Të)”. Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Sead ibën Ebi Uekasi transmeton se, njëherë Profeti (a.s.) ka parë një grua që kishte disa bërthama hurmash apo disa guriçka, të cilat ajo po i përdorte si tespihe për të lavdëruar Allahun. Profeti (a.s.) i ka thënë asaj: “Më lejo të tregoj diçka, e cila do të jetë më e lehtë dhe me më shumë vlerë për ty se sa kjo”. Pastaj ai i përmendi asaj fjalët e mëposhtme: “Subhane Allah adede ma khaleka fi semai ua subhane Allah adede ma khaleka fil ardi ue subhane Allah adede me khaleka bejne dhalike ue subhane Allah adede ma hue khalik ue Allahu ekber mithle dhalike ue el hamdu lilahi mithle dhalike ue la ilahe il-Allahu mithle dhalike ue la haule ue la kuvete ila bil-lahi mithle dhalike”. [38] (Madhërimi i takon Allahut aq herë sa edhe numri i atyre çfarë Ai ka krijuar në qiell. Madhërimi i takon Allahut aq herë sa edhe numri i atyre që Ai ka krijuar në tokë. Madhërimi i takon Allahut aq herë sa edhe numri i çdo gjëje që Ai ka krijuar midis tyre. Allahu është më i madhi, falënderimet i përkasin vetëm Atij dhe nuk ka zot tjetër veç Tij. Nuk ka madhështi apo fuqi tjetër përveç Allahut)”. Transmetojnë autorët e mledhësve të haditheve dhe Hakimi, i cili thotë se hadithi është i vërtetë, sipas kriterit të Muslimit.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) u ka treguar atyre se një njeri ka thënë: “Zoti im! Të gjitha falënderimet të takojnë Ty, po aq sa Lavdia dhe Lartësia e Madhështisë Tënde që me të drejtë i meriton”. Kjo ishte tepër e madhe për engjëjt që ta shënonin. Ata nuk dinin si ta shënonin atë, prandaj fluturuan për në qiell dhe thanë: “Zoti ynë! Robi yt ka thënë diçka të cilën ne nuk dimë si ta shënojmë”. Allahu i ka pyetur – dhe sigurisht Ai e di fare mirë çfarë ka thënë robi i tij – “Çfarë ka thënë robi Im? Ata iu përgjigjën: “Zoti im ! Të gjitha falënderimet të takojnë vetëm Ty, po aq sa Lavdia dhe Lartësia e Madhështisë Tënde që me të drejtë i meriton”. Pastaj Allahu u ka thënë: “Shkruajeni atë ashtu siç e ka thënë robi Im derisa ai të më takojë Mua dhe Unë ta shpërblej për këtë”.[39] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe.

 

Numërimi i dhikrit me gishta është më i mirë se me tespihe

Busejra transmeton se Profeti (a.s.) i ka urdhëruar ato (gratë e muhaxhirëve) të jenë të rregullta në përmendjen e Allahut duke u thënë: “Thoni sa më shpesh Subhane Allah, La ilahe il-Allah dhe madhërojeni sa më shumë Allahun. Asnjëherë mos e harroni Allahun dhe Mëshirën e Tij. Numërojini këto me gishta, sepse gishtat do të pyeten dhe do të flasin!”[40] Transmetojnë autorët e mledhësve të haditheve dhe Hakimi me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

Abdullah ibën Amër ibën El Asi transmeton se e ka parë të Dërguarin e Allahut duke numëruar lavdërimet për Allahun me gishtërinjtë e dorës së tij të djathtë”.[41] Transmetojnë autorët e suneneve.

 

Paralajmërimi për ata që ulen në një shoqëri ku nuk përmendet Allahu dhe nuk dërgohen salavate për të Dërguarin e Tij

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse njerëzit ulen në një grup, në të cilin nuk përmendet Allahu dhe as nuk dërgohen bekime mbi të dërguarin e Tij, kjo do të jetë një shkak pikëllimi për ta në Ditën e Gjykimit”.[42] Ky hadith transmetohet nga Tirmidhiu, i cili thotë se është hadith i vërtetë.

Në versionin e Ahmedit ne shohim se: “Nëse njerëzit ulen në një grup, në të cilin ata nuk e përmendin Allahun, kjo do të jetë një shkak hidhërimi për ta. Edhe nëse një burrë është duke ecur e nuk e përmend Allahun, do të jetë një shkak hidhërimi për të. Edhe nëse një burrë shtrihet në krevatin e tij e nuk e përmend Allahun, kjo do të jetë hidhërim për të”.

Në një version tjetër thuhet: “Kjo do të jetë hidhërim për ata, edhe nëse atyre u jepet xheneti si shpërblim”.

Autori i “Fet’h El-Alam” thotë: “Ky hadith vërteton se është detyrë përmendja e Allahut dhe dërgimi i bekimeve mbi Profetin (a.s.) kur jeni ulur në një grup, sepse nëse ne vërejmë me kujdes fjalët “shkak i hidhërimit apo i vuajtjes” që do të thotë dënimin e zjarrit apo ndonjë ndëshkim tjetër. Në mënyrë të qartë, një dënim vjen vetëm kur një veprim i detyruar është neglizhuar apo harruar. Sipas kësaj logjike, si përmendja e Allahut, ashtu edhe dërgimi i bekimeve për Profetin e Tij janë të detyrueshme”.

 

Shlyerja e mëkatit për uljen me një shoqëri të tillë

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush ulet në një shoqëri ku ka shumë zhurmë (shamatë), le të thotë para se të çohet: “Subhaneke Allahume ue bihamdike, eshedu en-la ilahe ila-ente estagfiruke ue etubu ilejke”,[43] atij do t’i falet çdo mëkat që mund të ketë kryer në atë shoqëri”.[44] Ky hadith është transmetuar nga Tirmidhiu dhe Bejhakiu.

 

Shlyerja e mëkatit për përgojimin

Transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për të shlyer mëkatin e përgojimit duhet të të lutesh për faljen e personit, të cilin e ke përgojuar dhe të thuash: “O Allah, na fal neve dhe atë!”.[45]

Mënyra më e mirë për shlyerjen e këtij lloji mëkati është të lutesh për faljen e personit, i cili ka qenë objekt përgojimi dhe të përmendësh cilësitë e mira të tij. Kjo do të fshijë pasojat e këtij përgojimi dhe nuk është e nevojshme ta deklarosh një gjë të tillë apo të kërkosh falje prej tij.

 

LUTJET

 

Në lidhje me lutjen

Allahu i ka urdhëruar njerëzit ta lusin Atë me përulësi dhe me sinqeritet, duke u premtuar atyre se do tu përgjigjet lutjeve të tyre dhe do t’i plotësojë nevojat që ata kanë.

Numan ibën Beshiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në të vërtetë lutja është adhurim”. Pastaj ai ka lexuar ajetin e kuranor:

وَقَالَ رَبُّكُمْ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ إِنَّ الَّذِينَ يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِي سَيَدْخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِينَ

“Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua e Unë ju përgjigjem! Ata që i shmangen adhurimit Tim nga mendjemadhësia, do të hyjnë të nënçmuar në xhehenem”. (El-Gafir, 60).[46] Hadithi transmetohet nga Ahmedi dhe mbledhësit e haditheve.

Abdurezaku transmeton prej Hasanit se, njëherë, shokët e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut: “Ku është Zoti ynë?” Për këtë, Allahu i Madhëruar zbriti vargun e mëposhtëm kuranor:

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِي إِذَا دَعَانِي فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ

“E kur robërit e Mi të pyesin ty (o Muhamed) për Mua, Unë jam afër tyre. I përgjigjem lutjes, kur më luten. Pra le të më luten Mua dhe le të më besojnë vetëm Mua, që ata të jenë të udhëzuar”. (El-Bekare, 186).[47]

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Asgjë nuk është më e dashur tek Allahu sesa lutja e njerëzve që i drejtohet Atij”.[48] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.

Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu t’i përgjigjet lutjes së tij gjatë momenteve të vështira, duhet të lutet gjithmonë në momentet e rehatisë”.[49] Transmeton Tirmidhiu.

Ebu Ja’la transmeton prej Enesit se Profeti (a.s.), duke treguar rreth Zotit të tij, ka thënë: “Allahu thotë: Gjenden katër karakteristika. Njëra prej të cilave është e Imja, njëra është e jotja, njëra e përbashkët midis Meje dhe teje dhe tjetra është e përbashkët mes teje dhe robërve të Mi . Ajo që është e Imja është se nuk duhet të më shoqëroni zot tjetër. Ajo që është për ty është se, kur ti të bësh një vepër të mirë Unë do të shpërblej ty për atë. Ajo që është e përbashkët mes Meje dhe teje është se, kur ti lutesh, Unë i përgjigjem lutjeve të tua. Ajo që është e përbashkët mes teje dhe robërve të Mi është se ti duhet të duash për të tjerët atë që dëshiron për veten tënde”.[50]

Në një hadith të vërtetë Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu zemërohet me atë njeri që nuk i lutet Atij”.[51] [Hadith Hasen; Sahih Et Tirmidhi 3373]

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Masat paraprake nuk kanë asnjë dobi kundrejt përcaktimit të Allahut, por vetëm lutja është e dobishme në rastet kur të ka goditur ndonjë fatkeqësi apo është gati për të goditur. Kur fatkeqësia zbret, lutja e pengon atë dhe e mban atë pezull deri në Ditën e Ringjalljes”.[52] Transmeton Bezari, Tebaraniu dhe Hakimi, i cili thotë se zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i vërtetë.

Selman El Farisi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Asgjë nuk mund ta shmangë caktimin e Allahut, përveç lutjes dhe asgjë nuk e shton jetën përveç veprave të virtytshme”.[53] Transmeton Tirmidhiu.

Ebu Auane dhe Ibën Hibani transmetojnë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush lutet, ai duhet t’i kërkojë Allahut gjëra të mëdha e të rëndësishme, sepse asgjë nuk është e vështirë për Allahun”.[54]

Etika e Lutjes

Ka disa rregulla të veçanta që duhen ndjekur kur i drejtohemi Allahut për lutje. Ato janë si më poshtë:

 

– Lutja për gjëra të lejuara

Ibën Abasi transmeton se, njëherë, dikush lexoi në prani të Profetit (a.s.) ajetin e mëposhtëm kuranor:

يَاأَيُّهَا النَّاسُ كُلُوا مِمَّا فِي الأَرْضِ حَلَالًا طَيِّبًا

“O ju njerëz! Hani nga gjërat e mira e të lejuara që prodhon toka!” (El-Bekare, 168).

Në atë moment u ngrit Sead ibën Ebi Uakasi, iu drejtua Profetit (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut! Lute Zotin që të më bëjë mua prej atyre që u pranohet lutja!”. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “O Sead! Përpiqu që të fusësh në barkun tënd ushqime të mira dhe të lejuara që të pranohet lutja se, për Zotin, ndodh që një njeri fut në gojën e tij një kafshatë haram (të ndaluar) dhe nuk i pranohet asnjë punë e tij për 40 ditë…” [55] Ky hadith është transmetuar nga Tabaraniu në “El-Muxhem Es-Sagir”.

Profeti (a.s.) ka thënë: “O ju njerëz! Në të vërtetë Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveçse të mirën. Ai i ka urdhëruar besimtarët me atë çka urdhëruar të dërguarit e Tij”. Pastaj ai ka përmendur vargun kuranor:

يَاأَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحًا إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ

“O ju të dërguar! Hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira, se Unë e di atë që ju veproni”. (El-Mu’minune, 51).

Për ta forcuar sa më tepër këtë ide, më tej Profeti (a.s.) ka përmendur dhe vargun tjetër kuranor:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُوا لِلَّهِ…

“O ju që keni besuar! Hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun…”. (El-Bekare, 172).

Më pas Profeti (a.s.) ka përmendur shembullin e atij burri që ka qenë i pluhurosur nga udhëtimi i gjatë dhe ka ngritur duart nga qielli e ka thënë: “O Zot! O Zot!”, ndërkohë që ai ka qenë ushqyer dhe ka qenë veshur me haram. E si t’i përgjigjet lutja atij personi?! [56] Ky hadith është transmetuar nga Muslimi.

 

– Kur lutemi duhet të drejtohemi nga Qabja

Njëherë Profeti (a.s.) doli jashtë dhe u lut për shi, duke u drejtuar me fytyrë nga Kibla.[57]

 

– Lutja në kohët dhe vendet më të përshtatshme

Besimtari musliman duhet të shfrytëzojë kohët dhe vendet më të vyera për t’iu lutur Krijuesit të tij. Të tilla janë shumë si: dita e Arafatit, muaji i Ramazanit, e Xhumaja, pjesa e fundit e natës, në agim, gjatë sexhdes, në kohën kur bie shi, ndërmjet ezanit dhe ikametit, në kohën kur përleshen ushtritë, në kohë paniku dhe kur zemra është e butë dhe ndjeshme etj.

Ebu Umame transmeton se Profeti (a.s.) është pyetur: “O i Dërguar i Allahut! Cila lutje ka mundësi më të madhe pranimi?” Ai ka thënë: Lutja që bëhet në pjesën e fundit të natës dhe ajo që bëhet pas namazeve të detyruara”.[58] Ky hadith është përcjellë nga Tirmidhiu me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gjendja kur robi është më afër me Zotin e tij është kur ai bie në sexhde. Prandaj lutuni sa më shpesh në këtë gjendje që t’ju përgjigjet Zoti juaj”.[59] Transmeton Muslimi.

Në lidhje me këtë temë ekzistojnë shumë hadidhe në libra të ndryshëm.

 

– Ngritja e duarve në drejtim të shpatullave

Ebu Daudi transmeton se Ibën Abasi ka thënë: “Kur të kërkoni diçka prej Allahut, duhet t’i ngrini duart tuaja përballë shpatullave; kur të kërkoni falje duhet të tregoni me njërin gisht; kur të bëni një lutje të sinqertë duhet t’i hapni dhe t’i shtrini duart plotësisht”.[60]

Malik ibën Jesari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse i luteni Allahut, lutjuni Atij me duart e hapura dhe jo me kurrizin e duarve tuaja”.[61]

Selmani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti juaj i Madhëruar është i gjallë dhe bujar. Ai ka turp prej robit të Tij që t’ia kthejë mbrapsht lutjen, nëse ai ngre duart duke iu lutur Atij”.[62]

 

– Fillimi i lutjes me falënderimin e Allahut dhe dërgimin e bekimeve (salavateve) për Profetin e Tij

Fudale ibën Ubejd transmeton se Profeti (a.s.) ka dëgjuar një burrë që lutej gjatë faljes. Ai nuk e lavdëroi Allahun e as nuk dërgoi bekime mbi të Dërguarin e Tij. Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai u nxitua”. Pastaj e thirri burrin dhe i tha atij ose dikujt tjetër: “Kur dikush nga ju lutet, ai duhet ta fillojë me lavdërimin dhe falënderimin e Zotit të tij, pastaj duhet të lutet për të Dërguarin e Tij dhe pas kësaj le të lutet për çfarë dëshiron”.[63]

 

– Lutja duhet të drejtohet me vëmendje, përkushtim, përulësi dhe me një zë as të lartë dhe as të ulët

Allahu i Madhëruar thotë:

وَلاَ تَجْهَرْ بِصَلاَتِكَ وَلاَ تُخَافِتْ بِهَا وَابْتَغِ بَيْنَ ذَلِكَ سَبِيلاً

“E ti mos e ngri zërin në namazin tënd, po as mos e ul tepër atë. Kërko mes kësaj një rrugë të mesme” (El-Isra, 110)  dhe

ادْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً إِنَّهُ لاَ يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ

“Luteni Zotit tuaj të përulur e në heshtje, sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë”. (El-Arafë, 55).

Ebu Musa El Eshariu transmeton se, njëherë, njerëzit e ngritën zërin e tyre në lutje. Për këtë Profeti (a.s.) u tha: “Përmbahuni o njerëz! Ju nuk po i drejtoheni dikujt që nuk ju dëgjon apo nuk është i pranishëm. Me siguri, Ai që ju po i drejtoheni është shumë afër jush dhe i dëgjon të gjitha. Ai është më afër jush se sa qafa e kafshës suaj”. Pastaj ka vijuar: O Abdullah ibën Kajs! A dëshiron të tregoj një fjalë që është një prej thesareve të xhenetit? Ajo është: La haule ua la kuvete il-la bilahi”.[64] Hadithi transmetohet nga Muslimi dhe Buhariu.

Abdullah ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Zemrat janë si enët; disa janë me volum më të madh se të tjerat. Kur i luteni Allahut, duhet të jeni të sigurt se lutja do t’ju pranohet! Ta dini mirë se Allahu nuk i përgjigjet një lutjeje që buron prej zemrës së shkujdesur dhe të pavëmendshme”.[65] Transmeton Ahmedi.

 

– Lutja nuk duhet të përbëhet nga fjalë që mbartin mëkate apo prishje të lidhjeve farefisnore

Ahmedi transmeton se Ebu Seidi transmeton prej Profetit (a.s.) se ai ka thënë: “Çdo musliman që i lutet Allahut dhe në përmbajtjen e asaj lutjeje nuk ka asnjë mëkat apo asgjë për prishjen e lidhjeve të gjakut, Allahu ka për t’i dhënë atij një prej këtyre tri gjërave: Ai mund t’ia pranojë menjëherë lutjen e tij ose mund t’ia ruajë shpërblimin e tij në botën tjetër ose mund të largojë prej tij një sasi të barazvlefshme mëkati”. Ata që e dëgjuan këtë thanë: “Atëherë ne do të lutemi sa më shumë”. Profeti (a.s.) iu tha: “Allahu është më tepër i gatshëm për t’ju përgjigjur asaj që ju kërkoni”.[66]

– Shmangia e ngutjes për pranimin e lutjes

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutja juaj do t’iu përgjigjet vetëm nëse jeni të duruar dhe nuk thoni: “U luta, por lutja ime nuk u dëgjua”.[67] Transmeton Maliku.

– Lutja me besimin se ajo do të pranohet

Ebu Hurejra transmeton prej Profetit (a.s.) se ai ka thënë: “Asnjë prej jush nuk duhet të thotë: “O Allah! Më fal mua, nëse Ti dëshiron ose: O Allah! Më mëshiro mua, nëse Ti dëshiron”. Duhet të jeni të vendosur në lutjen tuaj, sepse Allahu bën atë që dëshiron dhe asnjë nuk mund ta detyrojë Atë”.[68]

 

– Zgjedhja e fjalëve të kuptueshme dhe të thjeshta në lutje

Profeti (a.s.) i donte lutjet e thjeshta, siç është për shembull: “Zoti ynë! Na jep mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër!”.[69]

Një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Cila është lutja më e mirë?” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Lutju Zotit tënd për falje dhe siguri në këtë botë dhe në botën tjetër”. Ai ka shkuar përsëri ditën e dytë dhe po ashtu edhe në ditën e tretë dhe e ka pyetur për të njëjtën gjë. Profeti (a.s.) i ka dhënë të njëjtën përgjigje dhe pastaj i ka thënë: “Nëse të jepet falje dhe siguri në këtë botë dhe në botën tjetër, ti ke shpëtuar”.[70]

Sipas një versioni tjetër, Profeti (a.s.) ka thënë: “Asnjë lutje nuk është më e mirë se lutja: “O Allah! Unë të kërkoj Ty falje në këtë botë dhe në botën tjetër!”[71] Transmeton Ibën Maxhe.

 

– Shmangia e lutjeve për mallkim ndaj vetes, familjes apo pasurisë

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Mos u lutni kundër vetes, fëmijëve, robërve apo pasurisë tuaj, sepse ndodh që luteni në një çast kur lutjet tuaja mund të pranohen”.[72]

 

– Përsëritja nga tre herë e secilës lutje

Abdullah ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) pëlqente ta përsëriste lutjen e tij tre herë dhe po ashtu bënte edhe kur kërkonte falje nga Zoti.[73] Transmeton Ebu Daudi.

 

– Kur lutemi për dikë duhet ta fillojmë nga vetja jonë

Në Kuran kemi vargun kuranor në formën e një lutjeje: “Zoti ynë! Na fal neve dhe vëllezërit tanë, që na kanë paraprirë në fe!”

Ubej ibën Kab tregon se kur Profeti (a.s.) lutej për ndonjë, ai e fillonte lutjen nga vetja e tij.[74] Transmeton Tirmidhiu nga një varg i besueshëm transmetuesish.

 

– Lutja e prindit, agjëruesit, udhëtarit dhe e atij që i është bërë padrejtësi

Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutjet e tre personave pranohen dhe nuk ka dyshim në lidhje me pranimin e tyre; lutja e prindit, lutja e udhëtarit dhe lutja e atij personi që i është bërë padrejtësi”.[75] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu me një varg të besueshëm transmetuesish.

Gjithashtu Profeti (a.s.) ka thënë: “Tre lloj lutjesh nuk kthehen mbrapsht; lutja e agjëruesit në kohën kur ai e çel agjërimin, lutja e sundimtarit të drejtë dhe lutja e atij personi që i është bërë padrejtësi. Allahu i ngre lutjet e tyre mbi re dhe dyert e qiellit hapen për to. Pastaj Zoti thotë: “Për Madhështinë Time, Unë do t’ju ndihmoj juve, qoftë edhe pas një farë kohe!”[76] Transmeton Tirmidhiu nëpërmjet një vargu të vërtetë transmetuesish.

– Lutja e muslimanit për vëllain e tij musliman në mungesë

Safuan ibën Abdullahu transmeton se, njëherë, ka vizituar shtëpinë e Ebu Derdasë në Sham. Atë nuk e ka gjetur atë atje, por në shtëpi ishte e shoqja, Umu Dardaja. Ajo e pyeti: “A ke ndërmend të kryesh haxhin gjatë këtij viti?” Safuani i kishte thënë: “Po”. Pastaj ajo i ka thënë: “A lutesh edhe për ne, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “Lutja e një muslimani për vëllain e tij që nuk ndodhet me të, është e pranuar. Tek koka e tij qëndron një engjëll i ngarkuar (me atë detyrë) dhe sa herë që personi lutet për vëllain e tij, engjëlli thotë: “Amin! Kjo qoftë edhe për ty gjithashtu!”. Pastaj Safuani ka shkuar në treg dhe ka takuar Ebu Derdanë dhe ai i ka treguar të njëjtin transmetim prej Profetit (a.s.).[77] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Abdullah ibën Amër ibën El Asi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutja që merr përgjigjen më të shpejtë është ajo e bërë nga një musliman për një tjetër që nuk është i pranishëm”.[78] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Omer ibën El Hatabi transmeton se i ka kërkuar leje Profetit (a.s.) për të kryer Umrën. Ai i ka dhënë leje dhe i ka thënë: “Mos na harro në lutjet e tua o vëllai im!”. Umeri ka thënë: “Kjo ishte fjala më e ëmbël për mua se gjithë pasuria e botës”.[79]

 

Fjalët e këshillueshme për hapjen e lutjes

Burejde transmeton se Profeti (a.s.) ka dëgjuar një burrë të thotë: “O Allah! Unë të lutem vetëm Ty. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti je i Vetmi dhe i Përjetshmi dhe të gjithë Ty të luten. Ti je Ai që nuk ke lindur askënd dhe nuk je lindur prej kujt. Nuk ka asnjë të ngjashëm me Ty”. Profeti (a.s.) ka thënë: “Ti e ke lutur Allahun me emrin e Tij më madhështor. Kur dikush i kërkon diçka Allahut me këtë emër, Ai i jep atë që dëshiron dhe kush i lutet Atij me këtë emër, Ai i përgjigjet lutjes së tij”.[80] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhi, i cili e konsideron hadithin të fortë.

Duke komentuar hadithin e mësipërm, Mundhiri thotë se mësuesi i tij Ebu Hasan Makdisi ka thënë: “Nuk ka asnjë dobësi në këtë zinxhir dhe nuk është gjendur asnjë hadith tjetër më i vërtetë se ky mbi këtë temë”.

Muadh ibën Xhebeli transmeton se Profeti (a.s.) ka dëgjuar një burrë duke thënë: “O Zot i madhështisë dhe fisnikërisë!”. Pasi e dëgjoi, Profeti (a.s.) i tha: “Lutja jote u pranua, prandaj kërkoji Allahut ç’të duash”.[81] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i vërtetë.

Enesi transmeton se, njëherë, Profeti (a.s.) ka kaluar pranë Ebu Ajashit (Zejd ibën Zurkiut), ndërkohë që ai ishte duke u falur dhe po thoshte: “O Allah! Unë të lutem vetëm Ty, sepse Ty të takojnë të gjitha falënderimet. Nuk ka zot tjetër veç Teje. O Dashamirës, o Mirëbërës i vërtetë! O Krijues i qiejve dhe tokës, Zot i Madhështisë dhe i Fisnikërisë! O i Gjallë e i Përjetshëm!”. Profeti (a.s.) i është drejtuar dhe i ka thënë: “Ti e ke lutur Allahun me emrin e Tij më madhështor. Kur dikush i lutet Atij me këtë emër, Ai i përgjigjet lutjes së tij dhe kur dikush i kërkon diçka Allahut me këtë emër, Ai i jep atë që dëshiron”.[82] Transmeton Ahmedi dhe të tjerët. Hakimi thotë se hadithi është i fortë sipas kriterit të Muslimit.

Muavije transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Kushdo që lutet me këto pesë fjalë, do t’i sigurohet ajo që kërkon: “La ilahe il-Allah[83] ue Allahu ekber;[84] La ilahe il-Allahu uehdehu la sherike lehu;[85] Lehu el mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir;[86] La ilahe il-Allahu ue la haule ue la kuvete ila bil-lahi[87].[88] Hadithi është transmetuar nga Tabaraniu me një zinxhir të besueshëm transmetuesish.

 

Lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes

Koha e lutjeve të mëngjesit është prej agimit deri në lindjen e diellit, ndërsa ato të mbrëmjes fillojnë që prej kohës së iqindisë deri në perëndimin e diellit.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush thotë njëqind herë në mëngjes dhe në mbrëmje: Subhane Allah ue bihamdihi (Madhërimi i takon Allahut dhe falënderimet janë vetëm për Të), në Ditën e Gjykimit asnjë nuk do të vijë me ndonjë gjë më të mirë se kjo, përveçse atij që ka thënë të njëjtën gjë duke shtuar fjalë të tjera”.[89]

Ibën Mesudi transmeton se kur ishte mbrëmje Profeti (a.s.) lutej duke thënë: “Ne arritëm mbrëmjen dhe e gjithë mbretëria e Allahut gjithashtu. Falënderojmë Allahun, nuk ka zot tjetër veç Tij. Ai është një i Vetëm dhe i pashoq. Atij i takon sundimi dhe falënderimi. Ai ka ka fuqi mbi çdo gjë. O Allah! Të kërkoj Ty të mirën e kësaj nate dhe kërkoj mbrojtje prej Teje nga e keqja e kësaj nate dhe e keqja që vjen pas saj! O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej përtacisë dhe nga e keqja e mendjemadhësisë. O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej dënimit të zjarrit të xhehenemit dhe prej dënimit të varrit!”.

Po ashtu, kur ishte mëngjes ai thoshte: “Ne dhe gjithë mbretëria e Allahut u gdhimë të nënshtruar ndaj Tij…”[90] Transmeton Muslimi.

Abdullah ibën Habibi transmeton se Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Fol!”. Ai e ka pyetur: “Çfarë duhet të them o i Dërguari i Allahut?” Ai i është përgjigjur: “Lexo suren Ihlas dhe dy suret e fundit të Kuranit (suren El-Felek dhe En-Nas), në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë dhe do të mjaftojnë për gjithçka”.[91]

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) i mësonte shokët e tij duke u thënë: “Kur të gdhiheni në mëngjes thoni: “O Allah, ne e arritëm mëngjesin dhe mbrëmjen me ndihmën Tënde. Ne me ndihmën Tënde jetojmë, me urdhrin Tënd vdesim dhe tek Ty është ringjallja”. Kur të jetë mbrëmje thoni: “O Allah! Ne me ndihmën Tënde arritëm mbrëmjen dhe mëgjesin, me ndihmën Tënde jetojmë, me urdhrin Tënd vdesim dhe tek Ty është kthimi”.[92] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih.

Shedad ibën Eus transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutja më e mirë për t’i kërkuar falje Zotit është: “Allahumme ente rabi, la iahe ila ente, khalekteni ue ene abduke, ue ene ala ahdike ue uadike ma isteta’tu. Eudhu bike min sherri ma sana’tu. Ebu’u leke bi niametike alejje ue ebu’u leke bidhenbi, fagfirli innehu la jegfiru dhunube il-la ente”.[93] Profeti (a.s.) ka shtuar: “Nëse dikush e thotë këtë gjatë ditës me besim të fortë dhe vdes po atë ditë para mbrëmjes, ai do të jetë nga njerëzit e xhenetit. Nëse dikush e thotë këtë në darkë me besim të fortë në të dhe vdes po atë natë para mëngjesit, ai do të jetë nga njerëzit e xhenetit”.[94] Transmeton Buhariu.

Ebu Hurejra transmeton se, njëherë, Ebu Bekër Es-Sidiku i ka kërkuar Profetit (a.s.) t’i tregonte diçka për t’u lutur në mëngjes dhe mbrëmje. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Thuaj: “O Allah! O Krijuesi i qiellit dhe i tokës, që di të dukshmen dhe të padukshmen. O Zotëruesi i gjithçkaje. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Kërkoj mbrojtje tek Ti nga e keqja e vetes sime, nga e keqja e shejtanit dhe prej atyre që të bëjnë shok Ty”. Pastaj ka shtuar: “Thuaje këtë në mëngjes, në mbrëmje dhe kur të shkosh për të fjetur”.[95] Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen sahih.

Othman ibën Afani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Robin e Allahut nuk ka për ta dëmtuar asgjë, nëse ai thotë tre herë në mëngjes dhe në mbrëmje: “Në emër të Zotit, me emrin e të Cilit asgjë nuk mund të dëmtojë në tokë dhe në qiell. Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdituri”.[96] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

Theubani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush thotë në mëngjes dhe në mbrëmje: “Unë jam i kënaqur me Allahun si Zotin tim, me Islamin si fenë time dhe me Muhamedin si Profetin tim”, Allahu me siguri ka për ta kënaqur atë”.[97] Transmeton Tirmidhiu.

Enes ibën Maliku transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju thotë në mëngjes apo në mbrëmje: “O Zot! Unë u gdhiva duke dëshmuar për Ty. Po ashtu dëshmoj për mbartësit e Fronit Tënd, për engjëjt e Tu dhe për gjithë krijesat e Tua. Ti je Allahu dhe nuk ka zot tjetër veç Teje. Muhamedi është robi dhe i dërguari Yt”. Kështu Allahu shpëton çerekun e tij prej zjarrit. Nëse ai e thotë dy herë, Allahu do të shpëtojë gjysmën e tij prej zjarrit. Nëse ai e thotë tre herë, Allahu shpëton ¾ e tij nga zjarri i xhehenemit dhe nëse ai e thotë atë katër herë, Allahu do ta shpëtojë atë nga zjarri plotësisht”.[98] Transmeton Tirmidhiu.

Abdullah ibën Ginam transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush thotë në mëngjes: “O Allah! Çdo gjë e mirë që më ka ardhur, e kam prej Teje. Ti je i vetëm dhe i pashoq. Ty të takojnë gjithë lavdërimet dhe falënderimet”, ai ka shprehur falënderimin e tij për gjithë ditën e nëse dikush e thotë të njëjtën gjë në mbrëmje, ai shpreh falënderimin e tij për natën”.[99] Transmeton Ebu Daudi.

Abdullah ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.) thoshte gjithmonë në mbrëmje dhe në mëngjes këtë lutje: “O Allah! Kërkoj prej Teje falje në këtë botë dhe në botën tjetër. O Allah! Kërkoj prej Teje falje dhe mbrojtje në fenë time, në çështjet e mia të dynjasë, në familje dhe në pasuri! O Allah! Mbuloi gabimet e mia dhe më ruaj prej gjërave që u frikësohem. O Allah! Më mbro nga përpara e nga pas, nga e djathta e nga e majta dhe nga lart. Kërkoj prej madhështisë Tënde mbrojtje nga dëmtimet e befasishme prej poshtë”. Uekiu ka thënë: “Kjo do të thotë që të përpihesh nga toka”.[100] Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi.

Abdurrahman ibën Ebu Bekra ka thënë se ai i ka thënë babait të tij: “O babai im! Unë të kam dëgjuar të lutesh çdo mëngjes me këto fjalë: “O Allah! Më siguro mua shëndet të fortë! O Allah! Më siguro mua dëgjim të fortë. O Allah! Më siguro mua shikim të fortë. Nuk ka zot tjetër përveç Teje”. Ai e pyeti të atin përse i përsëriste ato fjalë tre herë në mëngjes dhe po aq herë në mbrëmje. Babai iu përgjigj: “Unë kam dëgjuar Profetin (a.s.) që i përdorte këto fjalë si lutje dhe unë pëlqej të ndjek praktikën e tij”.[101] Transmeton Ebu Daudi.

Po ashtu, Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush thotë tre herë në mëngjes: “O Allah! U zgjova me ndihmën, bekimin, mbrojtjen dhe sigurimin Tënd. Prandaj plotësoji dhuntitë e Tua, sigurimin dhe mbrojtjen Tënde për mua në këtë botë dhe në botën tjetër!”, Allahu me siguri që ka për t’ia plotësuar mirësitë e Tij mbi të”.[102]

Enesi transmeton se, njëherë, Profeti (a.s.) ka thënë: “A nuk mund të jeni ju si Ebu Demdemi?” Shokët e pyetën se kush ishte Ebu Demdemi? Ai është përgjigjur: “Kur ai ngrihet në mëngjes, thotë: “O Allah! Unë e ofroj nderin dhe jetën time tek Ty”. Kështu ai nuk do të shajë njeri, edhe nëse e shajnë e as nuk do të jetë i padrejtë me të tjerët, edhe nëse ata sillen padrejtësisht me të e as do të qëllojë njeri, edhe nëse të tjerët e bëjnë këtë me të”.[103]

Ebu Derdaja transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush thotë përditë shtatë herë në mëngjes dhe në mbrëmje: “Mua më mjafton Allahu dhe nuk ka zot tjetër veç Tij. Tek Ai mbështetem dhe Ai është Zoti i fronit të madh”, atij do t’i mjaftojë Allahu për gjithçka në lidhje me jetën e kësaj bote dhe botën tjetër”.[104]

Transmetohet se Talk ibën Habibi ka treguar se, njëherë, një burrë ka shkuar tek Ebu Derdaja dhe i ka thënë atij se i ishte djegur shtëpia. Ebu Derdaja e ka mohuar një gjë të tillë dhe ka thënë: “Jo! Nuk ka mundësi të jetë djegur. Allahu asnjëherë nuk do ta lejonte të ndodhte kjo për shkak të fjalëve që kam dëgjuar prej Profetit dhe kushdo që i thotë ato fjalë në fillim të ditës, ai nuk do të preket nga fatkeqësitë deri në fund të ditës dhe kushdo që i thotë ato fjalë në mbrëmje nuk do të goditet me ndonjë fatkeqësi deri në mëngjes. Këto fjalë janë: “O Allah! Ti je Zoti im dhe nuk ka zot tjetër veç Teje. Tek Ty mbështetem dhe Ti je Zoti i fronit të madh. Çdo gjë që Allahu e dëshiron, do të ndodhë patjetër dhe atë që Ai nuk e dëshiron nuk mund të ndodhë kurrë. Nuk ka pushtet apo fuqi pa lejen e Allahut të Madhëruar. Unë di mirë se Allahu ka fuqi mbi çdo send dhe se Ai ka përfshirë gjithçka me dijen e Tij. O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ty prej të keqes së vetes sime dhe prej të keqes së çdo krijese që është nën kontrollin Tënd. E s’ka dyshim se rruga e Zotit tim është ajo më e drejta”.[105]

Disa versione të tjera tregojnë se Ebu Derdaja i ka thënë shokut të shkonin në shtëpinë e tij dhe ta shihnin. Kështu ata kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe atje kanë gjetur se e gjithë zona përreth shtëpisë ishte e rrethuar nga zjarri, por shtëpia e tij nuk ishte dëmtuar aspak.

 

Lutjet e gjumit

Hudhejfe dhe Ebu Dherri transmetojnë se kur Profeti (a.s.) shkote në shtrat, ai thoshte: “O Allah! Me emrin Tënd unë jetoj dhe vdes”. Ndërsa kur zgjohej, ai thoshte: “Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili na dha jetë pas vdekjes dhe vetëm tek Ai është kthimi”.[106]

Prej praktikës së tij ka qenë se ai vendoste dorën e tij të djathtë poshtë faqes dhe lutej tri herë: “O Allah! Më ruaj prej dënimit Tënd ditën kur do të ngresh prej varrit krijesa e Tua”.[107]

Ai gjithashtu thoshte:

“O Allah! O Zot i qiejve, i tokës dhe i Fronit madhështor! Zoti ynë dhe Zoti i çdo gjëje! O Ti që mundëson farën të mbijë! O Zoti im që zbriteTeuratin, Inxhilin dhe Kuranin! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej të keqes së çdo dashakeqi nën kontrollin Tënd. Ti je i Pari dhe nuk ka asnjë para Teje dhe Ti je i Fundit dhe nuk ka tjetër pas Teje. Ti je i Larti dhe nuk ka asgjë sipër Teje. Ti je më afër krijesave të Tua se çdo gjë tjetër dhe nuk ka fuqi tjetër veç Teje. Na çliro neve prej borxheve tona dhe prej varfërisë”.[108]

Gjithashtu, Profeti (a.s.) është lutur: “Falënderimet i takojnë Allahut që na ushqen dhe na jep të pimë, na plotëson çdo nevojë dhe na jep strehim, kur ka prej atyre që nuk u plotësohen nevojat dhe nuk u është siguruar strehim”.[109]

Çdo natë, kur Profeti (a.s.) shtrihej për të fjetur, ai bashkonte duart dhe frynte lehtë në to duke lexuar suret Ihlas, Felek dhe Nas. Pastaj prekte trupin me duart e tij me sa mundësi që kishte, duke filluar nga koka, fytyra dhe duke shkuar drej pjesës së përparme të trupit. Ai e përsëriste këtë veprim tre herë.[110]

Profeti (a.s.) u mësoi shokëve të tij që kur të shkonin në shtrat, të thoshin: “Zoti im! Me emrin Tënd po shtrihem dhe me emrin Tënd do të ngrihem. Prandaj, nëse ma merr shpirtin, mëshiroje atë, e nëse ma kthen, ruaje ashtu siç i ruan robërit e Tu të devotshëm”.[111]

Profeti (a.s.) njëherë e këshilloi vajzën e tij Fatimen në lidhje me lutjet përpara gjumit, duke i thënë: “Thuaj Subhane Allah tridhjetë e tre herë, El Hamdulilah tridhjetë e tre herë dhe Allahu Ekber tridhjetë e katër herë”.[112]

Ai gjithashtu ka rekomanduar leximin e ajetit Kursij[113] bashkë me lutjet e mësipërme dhe ka thënë se ai që i vepron këto do të jetë nën mbrojtjen e Allahut, i Cili do të caktojë një ruajtës për ta mbrojtur atë.[114]

Profeti (a.s.) i ka thënë Barasë: “Para se të shkosh në shtrat, merr abdes siç merr kur fal namazin dhe pastaj shtrihu duke e vendosur kokën mbi dorën tënde të djathtë dhe thuaj: “O Allah! Shpirtin tim ta kam dorëzuar Ty, jam kthyer me fytyrë drej Teje dhe çështjet e mia t’i kam besuar vetëm Ty. Kthehem tek Ti me frikë dhe shpresë. Nuk ka strehim dhe as shpëtim tjetër, përveçse tek Ti. Besoj në librin Tënd që Ti ia ke zbritur Profetit tënd, i cili është i dërguari Yt”.

Pastaj ai ka shtuar: “Nëse vdes, pasi i ke thënë ato fjalë, ti do të vdesësh në natyrën tënde të vërtetë. Prandaj mundohu që këto të jenë fjalët e tua të fundit”.[115]

 

Lutja kur zgjohemi

Profeti (a.s.) ka këshilluar se kur zgjohemi nga gjumi duhet të themi lutjen: “Falënderoj Allahun, i Cili ma ktheu shpirtin, ma bëri trupin e shëndetshëm dhe më mundësoi ta kujtoj Atë”.[116]

Po ashtu, Profeti (a.s.) kur zgjohej nga gjumi thoshte: “Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe madhërimi i takon vetëm Atij. O Allah! Kërkoj faljen Tënde për mëkatet e mia dhe lutem për mëshirën Tënde! O Allah! Më shto diturinë dhe mos e lër zemrën time të devijojë pasi e ke udhëzuar atë në rrugën e drejtë. Më siguro mëshirë prej mëshirës Tënde, sepse Ti je Dhuruesi i shpërblimeve pa kufi!”.[117]

Në një tjetër hadith të vërtetë Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush çohet nga gjumi dhe nuk shkon të shtrihet përsëri dhe thotë: “La ilahe il-Allahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue hue ala kuli shejin kadir, elhamdulilahi, ue subhane Allah, ue la ilahe il-Allahu ue Allahu ekber, ue la haule ue la kuvete ila bil-lah” (Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Ai është i vetëm dhe nuk ka asjnë rival. Ai ka pushtet mbi gjithçka dhe falënderimi dhe madhërimi i përket vetëm Allahut. Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Ai është më i madhi. Nuk ka asnjë fuqi apo pushtet përveç Allahut) dhe pastaj thotë “O Zot! Më fal mua!” ose lutu për çdo gjë tjetër, atij do t’i pranohet lutja dhe nëse merr abdes dhe falet, namazi i tij do të pranohet”.[118]

 

Kur trembemi në gjumë

Umer ibën Shuajbi transmeton prej babait të tij dhe ai prej gjyshit të tij se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush trembet në gjumë, le të thotë: “Kërkoj mbrojtje tek fjalët e përsosura të Allahut prej hidhërimit dhe dënimit të Tij dhe prej të keqes së robëve të Tij, prej shqetësimeve të shejtanëve dhe prej pranisë së tyre. Pas kësaj asgjë nuk do të dëmtojë atë”. Transmetuesi shton: “Ibën Umeri ua mësonte këtë fëmijëve të tij, të rriturve dhe të vegjëlve, ua shkruante në një copë letër dhe ua varte atyre në qafë”.[119] Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i vërtetë.

Halid ibën Uelidi transmeton se për njëfarë kohe ai kishte vuajtur nga pagjumësia dhe Profeti (a.s.) i kishte thënë atij: “A do të mësoj disa fjalë që do të mundësojnë të shkosh për të fjetur kur t’i thuash ato? Thuaj: O Allah! O Zoti i shtatë qiejve dhe i çdo gjëje që ata mbulojnë! O Zoti i tokës dhe çdo gjëje që ajo përmban! O Krijuesi i shejtanëve dhe këdo që ata mashtrojnë! Më ruaj mua prej të keqes së çdo krijese Tënde, se mos disa prej tyre mund të më nxisin me arrogancë kundër meje apo të tejkalojnë kufijtë. I nderuar është ai që është nën mbrojtjen Tënde dhe i bekuar qoftë emri Yt! Nuk ka zot tjetër veç Teje”.[120] Transmeton Tabaraniu në librin etij “El-Kebir” dhe “El-Ausat”. Zinxhiri i këtij hadithi është i fortë, megjithatë Abdurrahmani nuk e ka dëgjuar nga Khalidi.

El-Berra ibën Azib transmeton se një burrë u ankua tek Profeti (a.s.) rreth frikës dhe depresionit. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Thuaj: Lavdërimi i takon Allahut, Të Madhërishmit, Mbretit, Zotit të engjëjve dhe të Xhebrailit. Pushteti dhe madhëria Jote i përfshin qiejt dhe tokën”. Burri ka thënë këto fjalë dhe Allahu e ka çliruar atë prej depresionit dhe frikës.[121]

 

Lutja kur shohim ëndërr të frikshme

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Nëse dikush prej jush sheh ndonjë ëndërr të frikshme, duhet të pështyjë tri herë në anën e majtë të tij dhe të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar dhe të ndryshojë anën në të cilën ishte shtrirë”.[122] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Ebu Seid El Hudri transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë:

“Kur dikush prej jush sheh ndonjë ëndërr të mirë dhe të këndshme, duhet ta dijë se kjo është prej Allahut dhe prandaj ai duhet të lutet dhe të falënderojë Allahun dhe t’ua përshkruajë të tjerëve atë që ka parë. Por, nëse shikon diçka jo të këndshme, atëherë kjo është prej shejtanit, prandaj ai duhet të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej të keqes së shejtanit dhe nuk duhet t’ia përmendë atë askujt, se ajo nuk ka për ta dëmtuar atë”.[123] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih.

 

Lutja kur veshim rrobat

Ibën Sini transmeton se Profeti (a.s.) kur vishte rrobat; qoftë edhe një këmishë, pallto apo dhe një çallmë, ai thoshte:

“O Allah! Kërkoj prej Teje mirësinë e kësaj rrobe dhe mirësinë për atë që është bërë dhe kërkoj mbrojtje tek Ti prej të keqes së saj dhe të keqes që është caktuar për të!”

Muadh ibën Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush vesh një rrobë të re dhe thotë: “Falënderoj Allahun, i Cili më mundësoi mua të vesh këtë rrobë dhe më begatoi mua pa pasur unë asnjë lloj ndikimi apo fuqie”, Allahu do t’ia fshijë mëkatet e tij të mëparshme”.[124]

Po ashtu, rekomandohet që çdo gjë të fillojë me emrin e Zotit, sepse çdo gjë që fillon pa emrin e tij është e metë.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) kur merrte një rrobë të re, ai do ta përmendte atë, qoftë çallmë, këmishë apo mantel dhe do të thoshte: “O Allah! Të falënderoj që ma mundësove këtë rrobë. Kërkoj prej Teje të mirën e saj dhe të mirën që është bërë prej saj dhe kërkoj mbrojtje tek Ti prej të keqes së saj dhe të keqes nga e cila ajo është bërë”.[125] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

Umeri transmeton se e ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Kush prej jush vesh diçka të re dhe thotë: “Falënderimet dhe lutjet i përkasin vetëm Allahut, i Cili më veshi, për të mbuluar trupin tim dhe e bëri atë një mjet zbukurimi për mua” dhe pastaj e merr rrobën e tij të vjetër dhe e jep sadaka, do të jetë nën mbrojtjen e Allahut dhe do të trajtohet sikur të ishte duke luftuar në rrugë të Allahut, i gjallë qoftë apo i vdekur”.[126]

 

Kur shikon një musliman tjetër që ka veshur rroba të reja

Sipas një hadithi të vërtetë, Profeti (a.s.) i ka veshur Umu Halidit një rrobë të leshtë të zezë dhe i ka thënë: “Jetofsh aq gjatë sa të provosh të veshësh shumë rroba!”.[127]

Në raste të tilla, sahabët thoshin: “Jetofsh aq gjatë sa ta veshësh këtë rrobë të re dhe Allahu ta zëvendësoftë atë me një më të mirë!”.[128]

Kur e ka parë Profeti (a.s.) Umerin që kishte veshur rroba të reja i ka thënë: “Mbajtsh përherë rroba të reja, jetofsh i nderuar dhe vdeksh si një dëshmor i lumtur!”[129] Transmeton Ibën Maxhe dhe Ibën Sini.

 

Kur hedhim poshtë një rrobë

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pengesa mes syve të xhindëve dhe lakuriqësisë së bijve të Ademit bëhet e mundur kur një musliman hedh poshtë një teshë dhe thotë: “Në emër të Allahut veç Tij nuk ka asnjë zot tjetër”.[130] Transmeton Ibën Sini.

 

Kur dalim nga shtëpia

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush del prej shtëpisë dhe thotë: “Në emër të Zotit, i mbështetem vetëm Atij. Nuk ka pushtet apo fuqi tjetër veçse me lejen e Allahut”, atij i thuhet: “Kjo është e mjaftueshme për ty. Ti je i mbrojtur, i ruajtur dhe i udhëzuar”. Kështu shejtani largohet prej tij duke i thënë një shejtani tjetër: “Si mund ta kapësh një njeri që është i udhëzuar, i ruajtur dhe i mirëmbrojtur?!”[131] Transmeton Ebu Daudi.

Një hadith i vërtetë transmeton lutjen vijuese prej Enesit: “Në emër të Zotit. I kam besuar vetëm Atij, kërkoj mbrojtjen e Tij dhe gjithmonë tek Ai mbështetem. Nuk ka pushtet apo fuqi tjetër përveç Allahut”.[132] Transmetohet në “El Musned” të Ahmedit.

Umu Seleme transmeton se, sa herë që Profeti (a.s.) dilte nga shtëpia, ai drejtohej nga qielli dhe thoshte: “O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti që të mos devijoj dhe të mos i prij të tjerët drejt devijimit, të mos ndaj apo të mos mundësoj të tjerët të ndahen, të mos bëj padrejtësi dhe të mos më bëjnë të tjerët padrejtësi, mos të sillem me kryelartësi dhe të mos trajtohem nga të tjerët me mendjemadhësi”.[133] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

 

Lutjet kur hyjmë në shtëpi

Xhabiri transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Nëse dikush e përmend Allahun kur hyn në shtëpinë tij dhe gjatë të ngrënit, shejtani u thotë shejtanëve të tjerë: “Ju nuk keni vend këtu për të fjetur apo për të ngrënë”. Por, nëse personi nuk e përmend Allahun kur hyn në shtëpi, shejtani u thotë atyre: “Ju e gjetët vendin për të pushuar gjatë natës”. Nëse njeriu nuk e përmend Allahun, kur është duke ngrënë, shejtani u thotë pasuesve të tij: “Ju këtu keni gjetur vend për të pushuar dhe për të ngrënë”.[134] Transmeton Muslimi.

Ebu Malik El Eshari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur një njeri hyn në shtëpinë e tij, ai duhet të thotë: “O Allah! Unë kërkoj prej Teje hyrjen dhe daljen më të mirë. Me emrin e Allahut po hyjmë, me emrin e Tij po dalim dhe i jemi mbështetur vetëm Atij, Zotit tonë”. Pastaj ai duhet të përshëndesë familjen e tij”.[135] Transmeton Ebu Daudi.

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) i është drejtuar atij dhe i ka thënë: “O bir! Kur të hysh në shtëpinë tënde, thuaj: “Es-Selamu Alejkum! (Paqja qoftë mbi ju!) Kjo do të sjellë bekim për ty dhe familjen tënde”.[136] Transmeton Tirmidhiu.

 

Kur sheh diçka të mirë që të pëlqen tek pasuria jote

Kur shikon diçka të mirë dhe të kënaqshme në lidhje me pasurinë apo familjen tënde, duhet thënë: “Dëshira e Allahut është plotësuar! Nuk ka pushtet apo fuqi tjetër veç Allahut”.

Ndërsa kur shikon diçka jo të pëlqyeshme, duhet të thuash: “Falënderojmë Allahun për çdo gjendje”. Allahu thotë në Kuran:

وَلَوْلاَ إِذْ دَخَلْتَ جَنَّتَكَ قُلْتَ مَا شَاءَ اللَّهُ لاَ قُوَّةَ إِلاَّ بِاللَّهِ

“Kur ju hytë në kopshtin tuaj, përse nuk thatë “Çfarë dëshiron Allahu bëhet! Nuk ka pushtet dhe fuqi tjetër veç Allahut”. (El-Kehf, 39).

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse njeriu thotë për çdo mirësi që i ka dhënë Allahu atij, familjes apo pasurisë së tij: “Çfarë dëshiron Allahu bëhet! Nuk ka pushtet dhe fuqi tjetër veç Allahut”, ai nuk do të shohë asnjë fatkeqësi në to, përveçse nëse vdes”.[137] Transmeton Ibën Sini.

Transmetohet se Profeti (a.s.) kur shikonte diçka të mirë që e pëlqente, thoshte: “Falënderojmë Allahun, me mirësitë e të Cilit plotësohen të gjitha veprat e mira”. Ndërsa, kur shikonte diçka që nuk i pëlqente, ai thoshte “Falënderojmë Allahun për çdo gjendje”.[138] Transmeton Ibën Maxhe. Në lidhje me këtë hadith, Hakimi ka thënë se zinxhiri i tij është i vërtetë dhe transmetuesit janë të besueshëm.

 

Kur shihemi në pasqyrë

Aliu (r.a.) transmeton se kur Profeti (a.s.) shihej në pasqyrë, ai thoshte: “Falënderimi i takon Allahut. O Allah! M’i zbukuro mua sjelljet, ashtu siç më zbukurove pamjen time!”[139] Transmeton Ibën Sini.

Po ashtu, Enesi transmeton se, sa herë që Profeti (a.s.) shihej në pasqyrë, thoshte: “Falënderoj Allahun, i Cili e zbukuroi pamjen time dhe i dha asaj formën më të përkryer. Falënderoj Allahun, i Cili e zbukuroi fytyrën time, e nderoi atë dhe më bëri prej muslimanëve”.[140]

 

Kur sheh dikë të sprovuar me të meta fizike

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush sheh një person të sprovuar dhe thotë: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili më ka ruajtur mua nga ajo që Ai e ka sprovuar atë dhe më ka nderuar mbi shumë prej krijesave të Tij”, ai do të jetë i mbrojtur nga ajo sprovë”.[141] Transmeton Tirmidhiu dhe e konsideron hadithin të vërtetë.

Imam Neveviu ka thënë se dijetarët janë të mendimit se lutja e mësipërme duhet thënë pa zë, me qëllim që personi që e përjeton atë fatkeqësi të mos e dëgjojë atë e mos të hidhërohet prej saj. Por, nëse vuajtja është rezultat i sjelljeve të tij mëkatare, atëherë nuk ka problem nëse ai e dëgjon atë, në qoftë se nuk e ka frikë atë të keqe.

 

Kur dëgjojmë këndimin e gjelit, të pëlliturën e gomarit dhe të lehurën e qenit

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur të dëgjoni pëllitjen e

gomarit, kërkojini mbrojtje Allahut prej shejtanit, sepse ai ka parë shejtanin dhe kur të dëgjoni gjelin të këndojë, lutjuni Allahut për bujarinë e Tij, sepse ai ka parë një engjëll”.[142] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Versioni i Ebu Daudit thotë: “Kur të dëgjoni lehjen e qenve dhe të pëlliturën e gomarit gjatë natës, kërkojini mbrojtje Allahut prej tyre, sepse ata kanë parë atë që ju nuk e shihni”.[143]

 

Kur fryn era

Ebu Hurejra transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Era është mëshirë prej Allahut. Ajo sjell mëshirën dhe po ashtu edhe dënimin. Prandaj, kur e shihni atë, mos e shani, por kërkojini Allahut të mirën e saj dhe kërkojini Atij mbrojtje prej të keqes së saj!”.[144] Transmeton Ebu Daudi me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

Aishja (r.a.) transmeton se, sa herë që frynte erë, Profeti (a.s.) do të lutej duke thënë: “O Allah! Kërkoj prej Teje të na mundësosh të mirën e saj, të mirën që ajo përmban dhe të mirën për të cilën e ke dërguar! Na mbro nga e keqja e saj, nga e keqja që ajo përmban dhe nga e keqja për të cilën e ke dërguar!”.[145] Transmeton Muslimi.

 

Kur dëgjojmë bubullimën

Ibën Umeri transmeton se sa herë që Profeti (a.s.) dëgjonte zhurmën e bubullimës, ai thoshte: “O Allah! Mos na shkatërro me zemërimin Tënd e as mos na dëno me ndëshkimin Tënd! Na mbro para se ajo të ndodhë!”.[146] Ky hadith transmetohet nga Tirmidhiu dhe zinxhiri i tij është i dobët.

 

Kur shohim hënën e re

Abdullah ibën Umeri transmeton se, kur Profeti (a.s.) shihte hënën, thoshte: “Allahu është më i madhi! O Allah! Bëje atë të ndriçojë mbi ne në paqe, besim, siguri, duke qenë ne muslimanë të suksesshëm, ashtu si Ti dëshiron dhe je i kënaqur me ne! O hënë! Zoti yt dhe Zoti im është Allahu”.[147] Transmeton Tabaraniu.

Katade transmeton se, kur Profeti (a.s.) shihte hënën e re, thoshte: “Ti je hëna e re e mirësisë dhe e udhëzimit, hënë e re e mirësisë dhe e udhëzimit. I kam besuar Allahut që të ka krijuar ty”. Ai e ka thënë këtë tri herë dhe pastaj ka shtuar: Falënderimi i takon Allahut, i Cili mundësoi filan muaj[148] të kalojë dhe ardhjen e këtij muaji tjetër”.[149] Transmeton Ebu Daudi në formën Mursel.

 

Lutjet kur jemi të brengosur dhe të stresuar

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) në momentet e hidhërimit e të dhimbjes lutej:Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Të Plotëfuqishmit dhe të Diturit. Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Zoti i fronit madhështor. Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Zotit të qiejve, tokës dhe Zotit të Fronit të Madh”.[150] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Enesi tregon se kur Profeti (a.s.) përballej me ndonjë situatë të vështirë, ai gjithmonë lutej duke thënë: “Ja Hajjun, ja Kajjum bi rahmetike estegithu!”[151] (O Ti që je i Gjallë dhe i Përjetshëm! Kërkoj ndihmë prej mëshirës Tënde!). Transmeton Tirmidhiu.

Ebu Hurejra transmeton se, sa herë që Profeti (a.s.) përballej me ndonjë vështirësi të rëndë, ai ngrinte duart nga qielli dhe lutej: “Subhane Allah El-Adhim” (Lavdërimi i takon Allahut të Plotëfuqishëm). Nëse ai do të lutej më tepër, do të thoshte: “Ja Hajjun, ja Kajjum!” (O i Gjallë dhe i Përjetshëm!)”[152] Transmeton Tirmidhiu.

Ebu Bekra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutjet e vuajtjes janë: Allahumme rahmeteke erxhu, fela tekilni ile nefsi tarfete aijn, ue eslih li sha’ni kulehu, la ilahe il-la ente”. (O Allah! Unë shpresoj mëshirën Tënde! Prandaj mos lër në dorën time as hapjen dhe mbylljen e syrit![153] Rregullo çdo çështje timen! Nuk ka asnjë tjetër veç Teje që e meriton të adhurohet”.[154] Transmeton Ebu Daudi.

Esmaja – vajza e Umejsit – transmeton se Profeti (a.s.) i ka treguar asaj disa fjalë që t’i thoshte në momente dhimbjeje dhe vuajtjeje. Ato janë: “Allah, Allah Rabbi la ushrike bihi shejen” (Allahu, Allahu është Zoti im dhe unë nuk i shoqëroj Atij askënd”.[155] Një tjetër transmetim thotë se këto fjalë duhen thënë shtatë herë.  Transmeton Ebu Daudi.

Sead ibën Ebi Uakasi transmeton prej Profetit (a.s.) se ai ka thënë: “Nëse një musliman do të thotë lutjen që ka thënë Junusi, kur ka qenë në barkun e peshkut, lutja e tij do të pranohet. Kjo lutje është: La ilahe il-la ente, subhaneke, inni kuntu min edh-dhalimin”. (Nuk ka zot tjetër veç Teje dhe Ti je tepër i lavdëruar. Me të vërtetë që unë kam qenë prej zullumqarëve).[156]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Unë di ato fjalë që, nëse i thotë çdo njeri që është i hidhëruar, Allahu ka për t’ia larguar atij dhimbjen. Ato janë fjalët që ka thënë vëllai im Junusi (a.s.)”.[157] Transmeton Tirmidhiu.

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka tënë: “Nëse ndonjë prej robërve të Allahut është goditur nga ndonjë vuajtje apo hidhërim, le të bëjë këtë lutje e lutja e tij do të pranohet: “O Allah! Unë jam robi Yt, biri i robit dhe i robëreshës Tënde. Unë jam nën kontrollin Tënd. Urdhri Yt që më përket mua po më mposht dhe vendimi Yt që më përket mua është i drejtë. Po të lutem me emrat më të bukur, me të cilët Ti e ke përshkruar Veten Tënde, me ata që i ke shpallur në Librin Tënd, me ata që ia ke mësuar ndonjë prej krijesave të Tua dhe me ata që Ti ke zgjedhur për të ruajtur në dijen e fshehtë tek Ti. Bëje Kuranin gëzimin e zemrës sime, dritën e gjoksit tim, larguesin e hidhërimit tim, dhimbjes time dhe vuajtjeve të mia!”. Kështu lutja do të pranohet dhe Allahu do ta largojë vuajtjen dhe do ta zëvendësojë atë me gëzim dhe lumturi”.[158] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Hibani.

 

Kur përballemi me armikun dhe kur trembemi prej sundimtarit

Ebu Musa transmeton se kur Profeti (a.s.) i trembej ndonjë personi apo armiqve, ai lutej kundër tyre me këto fjalë: “O Allah! Ne të kërkojmë Ty t’i vrasësh ata dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja e tyre!”[159] Transmeton Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Ibën Sini transmeton se Profeti (a.s.) është lutur në një betejë: “O Zoti i Ditës së Gjykimit! Vetëm Ty të adhuroj dhe vetëm prej Teje kërkoj ndihmë!”. Enesi tregon se ka parë engjëjt duke luftuar kundër armiqve para dhe pas tyre.[160]

Gjithashtu, transmetohet prej Ibën Umerit se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur i trembesh ndonjë sundimtari apo dikujt tjetër, duhet të thuash: “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, të Butit, Bujarit. Madhërimi i takon vetëm Allahut, Zotit Tim. Lavdia i takon Allahut, Zotit të shtatë qiejve dhe fronit madhështor. Nuk ka zot tjetër veç Teje. Mbrojtja jote është e fuqishme dhe falënderimi Yt është i pamasë”.[161]

Ibën Abasi ka thënë: “Hasbuna Allahu ue niame el uakil”. (Na mjafton Allahu për çdo gjë dhe Ai është Ruajtësi më i mirë). Pastaj ai ka shtuar: “Këto fjalë janë thënë prej Profetit Ibrahim (a.s.), kur ishte hedhur në zjarrr dhe po ashtu edhe nga Profeti Muhammed (a.s.) kur mori vesh se njerëzit ishin mbledhur kundër tij”. [162] Transmeton Buhariu.

Auf ibën Maliku transmeton se, njëherë, Profeti (a.s.) ka shlyer borxhin e dy burrave. Një prej tyre, duke u larguar, ka thënë: (Na mjafton Allahu për çdo gjë dhe Ai është Ruajtësi më i mirë). Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Allahu nuk e do paaftësinë dhe përtacinë. Ti duhet të përpiqesh dhe të punosh dhe nëse has ndonjë vështirësi, atëherë thuaj: “Më mjafton Allahu për çdo gjë dhe Ai është Ruajtësi më i mirë”.[163]

 

Kur ndeshemi me një situatë të vështirë

Enesi transmeton se, nëse i vështirësohej ndonjë çështje Profetit (a.s.), ai lutej duke thënë: “O Allah! Nuk ka lehtësi tjetër, përveç asaj që Ti e bën të lehtë dhe vetëm Ti mund ta kthesh një vështirësi në një lehtësi”.[164] Transmeton Ibën Sini.

 

Kur na vështirësohet jetesa

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse e ndjeni veten ngushtë për të përballuar jetesën, ç’ju ndalon të thoni kur dilni nga shtëpia: “Në emër të Zotit për veten time, pasurinë time dhe fenë time. O Allah! Më bëj mua të jem i kënaqur dhe i lumtur me caktimin Tënd! Më jep mirësi në atë që është caktuar për mua, me qëllim që të mos dëshiroj të shpejtoj atë që Ti e ke vonuar e as të mos e vonoj atë që Ti e ke shpejtuar”. Transmeton Ibën Sini.

 

Kur kemi borxhe

Aliu (r.a.) transmeton se një skllav, i cili kishte rënë dakord me pronarin e tij mbi caktimin e lirisë së tij, ka shkuar tek ai dhe i ka thënë: “Unë nuk mundem ta paguaj pronarin tim, ashtu siç kam rënë dakord me të për caktimin e lirisë time, prandaj më ndihmo!”. Aliu i ka thënë: “Po të mësoj lutjen e Profetit (a.s.) që ma ka mësuar mua, e nëse ti e thua atë, Allahu do të mundësojë që borxhi yt të shlyhet, edhe nëse është i madh sa një mal. Thuaj: “O Allah! Më ndihmo mua që të më mjaftojë ajo që ti e ke bërë të lejuar që të më ruash mua prej asaj që është e palejueshme. Më pasuro mua prej mirësisë Tënde që të më mjaftojë e të jem i lirë prej nevojave të të gjithëve, përveç Teje”.[165] Transmeton Tirmidhiu dhe e konsideron hadith të vërtetë.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) një ditë ka hyrë në xhami dhe ka parë atje një burrë prej Ensarëve të quajtur Ebu Umame. Ai e ka pyetur: “Çfarë të ka ndodhur që po të shoh se paske ardhur në xhami para se kohës së faljes?” Ai është përgjigjur: “Unë jam shumë i shqetësuar dhe me borxhe të mëdha, o i Dërguari i Allahut”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “A do të mësoj disa fjalë që Allahu t’i largojë shqetësimet dhe ta shlyejë borxhin tënd ?” Ai është përgjigjur menjëherë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut”. Pastaj Profeti (a.s.) i ka thënë: “Thuaj në mëngjes dhe në mbrëmje: “O Allah! Unë kërkoj mbrojtje tek Ti nga shqetësimi dhe hidhërimi. Kërkoj të më ruash nga pamundësia dhe përtacia. Kërkoj mbrojtje tek Ti nga burracakëria dhe kopracia dhe kërkoj të më ruash nga zhytja në borxhe dhe nga pdrejtësia e njerëzve”.

Më pas Ebu Umame tregon se kur e ka thënë këtë lutje, Allahu ia ka larguar atij të gjitha shqetësimet dhe ia ka shlyer të gjitha borxhet.[166] Transmeton Ebu Daudi.

 

Kur hasim vështirësi apo pakënaqësi

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush është gotitur me ndonjë fatkeqësi, le të thotë: “Inna lilahi ue inna ilejhi raxhiun”,[167] edhe nëse ajo çështje është aq e lehtë sa humbja sandaleve”.[168] Transmeton Ibën Sini.

Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, megjithëse tek të gjithë ka mirësi. Kujdesu për atë që është e dobishme, kërko ndihmë prej Allahut e mos u dorëzo! Në qoftë se has ndonjë vështirësi, mos thuaj: “Nëse nuk do ta kisha bërë këtë, nuk do të më kishte ndodhur kështu”, por thuaj: “Kështu e ka caktuar Allahu dhe çfarë do Ai bëhet, sepse “nëse” hap derën e shejtanit”.[169] Transmeton Muslimi.

 

Çfarë duhet të themi kur dyshojmë në diçka?

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:“Shejtani shkon tek ndonjëri prej jush dhe i thotë: “Kush e krijoi këtë e kush e krijoi atë, derisa përfundimisht i thotë: “Kush e krijoi Zotin tënd?” Prandaj, në rast se iu ndodh kështu, duhet të kërkoni mbrojtje tek Allahu dhe t’u jepni fund këtyre mendimeve”.[170] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas një transmetimi tjetër të vërtetë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të pyesin derisa të thonë: “Allahu krijoi gjithçka, po Atë kush e krijoi? Prandaj, kushdo që përballet me një situatë të tillë le të thotë: “Unë i kam besuar Allahu dhe të dërguarve të Tij”.[171]

 

Kur jemi të inatosur

Sulejman ibën Sardi tregon se, njëherë, ka qenë ulur me Profetin (a.s.), ndërkohë që dy burra po grindeshin duke u sharë me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre u inatos aq shumë, sa fytyra e tij u fry dhe ndryshoi tërësisht. Profeti (a.s.) tha: “Unë e di një fjalë që, nëse ai do ta thoshte, do të qetësohej dhe do t’i binte inati. Ajo fjalë është: “Kërkoj mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar”.[172] Transmeton Buhariu dhe Muslimi

 

Disa lutje të thjeshta

Aishja (r.a.) tregon se Profetit (a.s.) i pëlqenin lutjet e shkurtëra, të qarta e kutimplota, më tepër se të tjerat.[173] Ne do të pasqyrojmë disa prej këtyre lutjeve, të cilat duhet të njihen me domosdoshmëri nga çdo besimtar.

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) përdorte shpesh lutjen: “O Allah! Na jep të mira në këtë botë, në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit të zjarrit!” [174]

Profeti (a.s.) ka vizituar një musliman, i cili ishte dobësuar dhe ishte bërë sa një zog. Profeti (a.s.) është interesuar për shëndetin e tij dhe e ka pyetur: “A i je lutur Allahut për ndonjë gjë apo mos i ke kërkuar Atij këtë gjendje?” Ai është përgjigjur: “Po, i jam lutur me këto fjalë: “O Zot! Nëse do të më dënoje në botën tjetër, më dëno më mirë në këtë botë!”. I Dërguari i Allahut është habitur dhe ka thënë: “Subhane Allah! Ti nuk ke as fuqinë dhe as durimin për të marrë përsipër barrën e dënimit të Allahut. Pse nuk lutesh kështu: “O Allah! Na jep të mira në këtë botë, në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit të zjarrit!” [175] Transmeton Muslimi.

Sead ibën Ebi Uakasi e ka dëgjuar djalin e tij duke u lutur: “O Allah! Të kërkoj Ty xhenetin, kënaqësitë e tij dhe të lutem për këtë dhe këtë gjë… Kërkoj të më mbrosh nga zjarri i xhehenemit, nga zinxhirët e tij dhe prej këtyre dhe këtyre gjërave… ”. Pasi e ka dëgjuar, Seadi i ka thënë: “Ti i ke kërkuar Allahut shumë të mira dhe ke kërkuar që të mbrojë prej shumë të këqijave. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë se shumë njerëz do t’i ekzagjerojnë lutjet. Për ty është e mjaftueshme të thuash: “O Allah! Kërkoj prej Teje çdo të mirë, të cilën e di apo nuk e di dhe kërkoj të më ruash prej çdo të keqeje, që e di apo nuk e di”.[176] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Abdullah ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) i është lutur Allahut: “O Zoti im! Më ndihmo mua dhe mos u kthe kundër meje! Më mundëso mua fitore dhe jo humbje! Planifiko në emrin tim dhe mos planifiko kundër meje! Më udhëzo mua dhe bëje udhëzimin të lehtë për mua. Më siguro fitore mbi ata që vepruan padrejtësisht ndaj meje! O Allah! Më bëj mua mirënjohës tek Ti, të vëmendshëm ndaj Teje, të ndrojtur prej Teje, të devotshëm ndaj bindjes Tënde, të thjeshtë dhe kurdoherë të kthyer tek Ti me pendim! Zoti im! Pranoje pendimin tim, fshiji mëkatet e mia, përgjigju lutjes sime, themeloi qartësisht faktet e mia, udhëzoje zemrën time, bëje gjuhën time të vërtetë dhe shkule ligësinë prej gjoksit tim!” [177]

Zejd ibën Erkami u ka thënë shokëve të tij se nuk kishte për t’u thënë ndonjë gjë tjetër, veç asaj që kishte thënë i Dërguari i Allahut. Më pas ai përmendi lutjen: “O Allah! Më mbro prej pamundësisë, përtacisë, frikës, kopracisë, pleqërisë dhe prej dënimit të varrit! O Allah! Siguroji shpirtit tim drejtësi dhe pastroje atë, sepse Ti je pastruesi më i mirë. Ti je i dashuri dhe Ruajtësi më i mirë i shpirtit tim. O Allah! Më ruaj nga dituria e padobishme, nga zemra që nuk të ka frikë Ty, nga shpirti që është i pakënaqur dhe prej lutjes që Ti nuk i përgjigjesh”.[178] Transmeton Muslimi.

Profeti (a.s.) u është drejtuar shokëve të tij dhe u ka thënë: “O njerëz! A doni që të jeni më ngulmues në lutjet tuaja?” Ata i janë përgjigjur: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pastaj ai ka thënë: “Atëherë thoni: “O Allah! Na ndihmo që të kujtojmë dhe të falënderojmë Ty! Na ndihmo që t’i kryejmë sa më mirë adhurimet që të takojnë Ty!”[179] Transmeton Hakimi.

Ahmedi transmeton se Profeti (a.s.) ka këshilluar: “Lutuni sa më shpesh: “Ja dha el-xhelali uel-ikram!” (O Zotërues i madhështisë dhe i fisnikërisë!).[180]

Profeti (a.s.) gjithashtu thoshte: O Kontrollues i zemrave! Bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!”[181] Transmeton Ahmedi.

Gjithçka është në duart e Mëshiruesit të Plotëfuqishëm dhe si rrjedhim Ai disa i nderon dhe disa të tjerë i poshtëron.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) lutej: “O Allah! Më ruaj prej privimit të bujarisë Tënde, prej humbjes së sigurisë Tënde, prej befasisë së zemërimit Tënd dhe prej çdo gjëje që mund të shkaktojë inatosjen Tënde!”.[182]

Profeti (a.s.) ka thënë “O Allah! Bëj që dituria që më ke mësuar të jetë e dobishme për mua dhe më mëso vetëm atë që është e dobishme! Më shto diturinë o Zoti im! Falënderoj Allahun në çdo gjendje që jam dhe kërkoj të më ruash nga lemeria e banorëve të zjarrit!” [183] Transmeton Tirmidhiu.

Njëherë Fatimja, vajza e Profetit (a.s.), shkoi tek ai për t’i kërkuar një shërbëtor se i nevojitej për të kryer punët. Profeti (a.s.) ia preu shkurt dhe i tha se asaj i mjaftonte të thoshte lutjen e mëposhtme:

 “O Allah! O Zoti i shtatë qiejve dhe i fronit madhështor, Zoti ynë dhe Zoti i çdo gjëje, Shpallësi i Teuratit, Inxhilit dhe i Kuranit! O Hapësi dhe Rritësi i farës së grurit e i bërthamës së hurmës! Kërkoj mbrojtje tek Tij prej të keqes së çdo gjëje që Ti e mban nën kontrolin Tënd! Ti je i Pari, nuk asgjë para Teje dhe Ti je i Fundit e nuk ka asgjë tjetër pas Teje. Ti je i Dukshmi dhe nuk ka asgjë sipër teje dhe Ti je i Fshehti dhe nuk ka asgjë përtej Teje. Largoje barrën e borxhit prej nesh dhe na çliro neve prej skamjes!”[184] Transmeton Muslimi.

Gjithashtu, Profeti (a.s.) lutej: “O Allah! Të përgjërohem Ty për udhëzim, për virtytshmëri, për dlirësi dhe shkëputje prej kësaj bote!”.[185]

Abdullah ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) rrallëherë largohej nga shokët e tij, pa u thënë këtë lutje:

“O Allah! Na bëj që të kemi frikë ty dhe të qëndrojmë larg mëkateve! Na bëj ne që të bindemi Ty për të arritur xhenetin Tënd! Na jep siguri për të na i lehtësuar të gjitha fatkeqësitë e jetës! Siguroje dëgjimin tonë, shikimin tonë dhe fuqinë tonë, që të jenë të kënaqura për aq kohë sa Ti na mundëson të jetojmë dhe jepu të njëjtën gjë atyre që do të vijojnë prej nesh! Na siguro fitore mbi ata që kanë bërë keq dhe na ndihmo kundër atyre që janë armiqësorë ndaj nesh! Mos lejo që të bjerë ndonjë fatkeqësi mbi fenë tonë, mos lejo që çështjet e dynjasë të bëhen preokupimi ynë më i madh apo i çdo gjëje që ne njohim! O Zot, mos lejo që të sundojnë mbi ne ata që janë të pamëshirshëm me ne!”[186] Transmeton Tirmidhiu dhe e konsideron hadithin të vërtetë.

 

Dërgimi i salavateve për Profetin (a.s.)

Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ اللَّهَ وَمَلاَئِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë bekime për Profetin. O ju besimtarë! Lutuni për të dhe përshëndeteni me gjithë respekt!” (El-Ahzabë, 56).

 

Çfarë nënkuptohet me dërgimin e salavateve për Profetin (a.s.) ?

Ebu Alijeh ka thënë: “Dërgimi i bekimeve të Allahut për Profetin (a.s.) do të thotë se Ai e falënderon atë para engjëjve dhe bekimet e engjëjve nënkuptojnë lutjet e tyre që bëjnë për Profetin.[187] Transmeton Buhariu.

Tirmidhiu thotë: “Sufjan El Theuri dhe dijetarët e tjerë kanë thënë: “Bekimet e Zotit nënkuptojnë mëshirën e Tij dhe bekimet e engjëjve u referohen lutjeve të tyre dhe kërkimit të faljes”.

Duke komentuar ajetin kuranor: “Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë bekime për Profetin. O ju besimtarë! Lutuni për të dhe përshëndeteni me gjithë respekt”, Ibën Kethiri ka thënë: “Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar i ka lajmëruar robërit e Tij rreth statutit të nderuar që Profeti i Tij dhe robi i Tij e shoqërojnë Atë në vendet më të larta. Ai ka shpallur se Ai e falënderon atë nën shoqërinë e engjëjve më të afërt të Tij dhe se engjëjt luten dhe kërkojnë falje për të. Ai i ka urdhëruar banorët e botës së poshtme të dërgojnë lutjet dhe përshëndetjet e tyre për Profetin (a.s.), me qëllim që bota e poshtme dhe ajo që është më lart të bashkohen së bashku duke e falënderuar Atë.

Mbi këtë temë ka shumë hadithe. Disa prej tyre janë dhënë si më poshtë:

Abdullah ibën Amër ibën El Asi transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Kush lutet për mua një herë, Allahu ka për t’u lutur për të dhjetë herë”.[188] Transmeton Muslimi.

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu më i afërt tek unë Ditën e Gjykimit do të jetë ai që është lutur më shumë për mua”.[189] Ky hadith transmetohet nga Tirmidhiu dhe ai e konsideron të vërtetë.

Shprehja “më i afërti tek unë” këtu nënkupton ata që e meritojnë më tepër ndërmjetësimin e Profetit dhe ata do të jenë më afër tij në shkallë e pozitë, thotë Tirmidhiu.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos e ktheni varrin tim në një vend kremtimesh, por dërgoni përshëndetje për mua, sepse përshëndetjet tuaja më arrijnë mua kudo që të jeni”.[190] Transmeton Ebu Daudi me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

Po ashtu, Eusi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita më e mirë është Xhumaja, prandaj më dërgoni më shumë përshëndetje në këtë ditë, sepse lutjet tuaja më paraqiten mua”. Ata që e dëgjuan, e pyetën: “Si paraqiten përshëndetjet tona tek ti, kur ti të kesh vdekur dhe trupi ytë të jetë kthyer në pluhur?” Profeti (a.s.) është përgjigjur: “Allahu e ka ndaluar tokën të tresë trupat e profetëve”.[191] Transmeton Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjë musliman dërgon përshëndetje për mua, Allahu ma kthen shpirtin e kështu unë mund t’i përgjigjem përshëndetjes së tij”.[192] Transmeton Ebu Daudi me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

Ahmedi transmeton se Ebu Talha El Ensari ka thënë: “Një ditë Profeti (a.s.) është zgjuar i qeshur dhe vezullues. Shokët e tij, sikur donin ta pyesnin dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ti je zgjuar sot i qeshur dhe vezullues”. Ai është përgjigjur: “Po! Një i dërguar i Allahut të Plotfuqishëm erdhi tek unë dhe më tha: “Nëse ndonjëri prej umetit tënd të dërgon një përshëndetje ty, Allahu do t’i regjistrojë atij dhjetë vepra të mira, do t’i fshijë dhjetë mëkate dhe do ta ngrejë dhjetë shkallë në pozitë. Ai do t’ia kthejë përshëndetjen në të njëjtën mënyrë”.[193] Ibën Kethiri e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron që të shpërblehet në masë të plotë, duhet të lutet për ne ehli bejtin (pjesëtarët e familjes së Profetit) dhe duhet të thotë: “O Allah! Bekoje Profetin Muhamed, gratë e tij nëna të besimtarëve, pasardhësit e tij dhe pjesëtarët e familjes së tij, ashtu siç bekove dhe familjen e Ibrahimit, se me të vërtetë Ti je Falënderues dhe i Madhëruar”.[194] Transmeton Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Ebu ibën Ka’b tregon se, kur kalonte nata, Profeti (a.s.) çohej dhe thoshte: “O njerëz! Kujtojeni Allahun! Trazira e madhe ka ardhur, e ndjekur nga një tjetër më e tmerrshme. Vdekja ka ardhur me gjithë çka e pason atë, vdekja ka ardhur me gjithë çka e pason atë”. Ebu ibën Ka’bi i është drejtuar Profetit (a.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam lutur shumë për ty. Sa prej lutjes time duhet të rezervoj për të dërguar bekime ty? Profeti (a.s.) është përgjigjur: “Sa të duash”. Pastaj ai e ka pyetur sërish: “Çerekun e saj?” Ai ka thënë: “Sa të duash. Nëse ti e shton atë, kjo do të jetë më mirë për ty”. Ai e ka pyetur përsëri: “Gjysmën e saj?” Profeti (a.s.) i ka thënë: “Sa të duash, por nëse e shton do të jetë më mirë për ty”. Pastaj e pyeti për herë të fundit: “Dy të tretat e saj?” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Sa të duash. Nëse e shton atë, kjo do të jetë më mirë për ty”. Atëherë Ebu ibën Ka’bi ka thënë: “Unë do ta kushtoj të gjithë kohën e lutjeve të mia duke të dërguar përshëndetje dhe salavate dhe do të lutem për ty kudo që të ndodhem. Profeti (a.s.) ka përfunduar: “Kështu ti do të jesh i çliruar prej ankthit dhe mëkatet e tua do të falen”.[195] Transmeton Tirmidhiu.

 

Dërgimi i salavateve për Profetin (a.s.) sapo dëgjojmë që përmendet emri i tij

Disa dijetarë muslimanë mendojnë se është detyrim dërgimi i përshëndetjeve për të Dërguarin e Allahut, d.m.th. të lutesh për bekimin e tij çdo herë që dëgjojmë të përmendet emri i tij. Një grup dijetarësh, siç është Tahaui dhe El Halimi, i bazojnë argumentet e tyre në hadithin e transmetuar nga Tirmidhiu, të cilin ai e ka vlerësuar si hadith të vërtetë, ku transmetohet prej Ebu Hurejrës se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Nuk është e pranueshme për një person që është i pranishëm kur përmendet emri im dhe nuk dërgon bekime mbi mua. Nuk është e pranueshme për një person, i cili e gjen muajin e Ramazanit, por e lë atë të kalojë pa i siguruar falje vetes së tij. Nuk është e pranueshme për një person që të mos u shërbejë prindërve të tij, kur i zë pleqëria dhe për këtë shkak nuk fiton xhenetin”.[196] Transmeton Tirmidhiu dhe thënë se hadithi është i vërtetë.

Në një transmetim nga Ebu Dherri thuhet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu më koprac është ai që nuk lutet për mua, kur dëgjon të përmendet emri im”.[197] [Hadith Daif; Daiful Xhami‘ 1355, hadith i transmetuar nga Auf ibën Malik]

Dijetarët e tjerë janë të mendimit se lutja dhe dërgimi i salavateve për Profetin (a.s.) është e detyrueshme vetëm një herë kur jemi nëpër mexhlise. Pas kësaj, nuk është më e nevojshme, megjithëse të vepruarit në këtë mënyrë është e pëlqyeshme. Kjo bazohet në hadithin e transmetuar prej Ebu Hurejrës, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse disa njerëz ulen së bashku në një mexhlis dhe nuk e përmendin Allahun e as nuk luten për Profetin e Tij , ata do të pendohen në Ditën e Gjykimit. Allahu nëse do i dënon ata e nëse do i fal”.[198] Transmeton Tirmidhiu.

 

Pëlqehet që të shkruajmë salavatet për Profetin (a.s.) kur shkruajmë emrin e tij

Dijetarët mendojnë se është e pëlqyeshme të lutemi për Profetin (a.s.), sa herë që shkruajmë emrin e tij. Megjithatë, kjo gjë nuk përmendet në asnjë hadith, prandaj askush nuk mund ta mbështesë këtë mendim.

Hatib El Bagdadi ka thënë: “Kam parë shumë shkrime të Imam Ahmed ibën Hanbelit dhe kam gjetur se shpesh ai e ka shkruajtur emrin e Profetit (a.s.) pa u lutur për të”. Pastaj ai ka shtuar: “Më erdhi në mendje se ai lutej për bekimin e Allahut mbi Profetin (a.s.) me gojë”.

Neveviu ka thënë: “Kur lutemi për bekimin e Allahut mbi Profetin (a.s.) duhet të bashkojmë lutjen për paqe dhe bekimin mbi atë, duke thënë: “Sal-Allahu alejhi ues-selem” dhe nuk duhet ta kufizojmë atë në një shprehje të tillë si: “Sal-Allahu alejhi!” (Allahu e bekoftë atë!) apo “Alejhi es-selam!”(Paqja qoftë mbi të!)”

 

Lutja për bekime mbi të gjithë profetët

Është e pëlqyeshme të lutesh për bekimin e Allahut mbi profetët dhe engjëjt në veçanti. Përsa u përket të tjerëve, veç profetëve, ka një marrëveshje mes dijetarëve se bekimet e Allahut mund të dërgohen për ta, por duke qenë të shoqëruar nga emra profetësh dhe jo vetmas. Shembull konkret kemi deklaratën e Profetit (a.s.) që u përmend më lart: “O Allah! Bekoje Profetin Muhamed dhe gratë e tij që janë nëna të besimtarëve…!”. [Hadith Daif, siç është përmendur më lart] Nuk është e pëlqyeshme dërgimi i bekimeve mbi persona të veçantë si për shembull, në qoftë se themi: “Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Umerin!”.

 

Si të lutemi për bekime dhe paqe mbi Profetin (a.s.)?

Ebu Mesud El Ensari transmeton se Beshir ibën Sadi ka thënë se ka pyetur Profetin (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Allahu na ka urdhëruar të dërgojmë bekime dhe salavate mbi ty. Si duhet ta bëjmë ne këtë ?” I Dërguari i Allahut ka heshtur, aq sa ne menduam se bëmë gabim që e pyetëm. Pastaj ai na mësoi të themi: “Allahumme sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamedin kema salejte ala ali Ibrahime ue barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamedin kema barakte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime fil alemin, inneke hamidun mexhid!” (O Allah! Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç bekove familjen e Ibrahimit! O Zot! Begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij në të gjitha botërat! Ti je Falënderuesi dhe Lavdëruesi). Më pas Profeti (a.s.) u ka thënë se teslimin (dhënien selam) duhet ta thoshin sipas mënyrës që e kishin mësuar.[199] Transmeton Muslimi.

Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Kur të luteni për Profetin (a.s.), bëjeni atë në mënyrën më të mirë, sepse ju nuk e dini nëse bekimi juaj i është paraqitur atij apo jo. Sahabët i kanë kërkuar atij t’u mësonte se si të luteshin për të, e ai u ka thënë: “Thoni: Allahumme ixh’al salauateke ue rahmeteke ue barekateke ala sejidil murselin, ue imamil mutekadimin ue hatimin nebijin Muhamedin abduke ue resuluke imamul hajri ue kaidil hajri ue resulir rahmeti. Allahumme beath’hu mekamen jegbituhu bihil auelun. Allahume sali ala Muahamedin ue ala ali Muhammedin kema salejte ala Ibrahime ue ali Ibrahime inneke hamidun mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamedin kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime, inneke hamidun mexhid”.

(O Allah! Dërgo bekimet, mëshirën dhe mërësitë e Tua mbi Prijësin e të Dërguarve dhe të Parin e udhëheqësve, Vulën e Profetëve, Muhammedin, robin Tënd dhe të Dërguarin tënd, prijësin e virtytit dhe të Dërguarin e mëshirës! Siguroi atij pozitën më të lartë e të përsosur! O Allah! Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç bekove Ibrahimin dhe familjen e tij! Ti je me të vërtetë Falënderuesi dhe Lavdëruesi. O Allah! Begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij! Ti je me të vërtetë Falënderuesi dhe Lavdëruesi).[200] Transmeton Ibën Maxhe.

 

Rreth udhëtimit

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Udhëtoni që të jeni të shëndetshëm dhe luftoni në rrugë të Allahut që të jeni të pasur”.[201] Transmeton Ahmedi. El Menaui e konsideron këtë hadith të vërtetë.

 

Largimi nga shtëpia për atë që pëlqen Allahu i Madhëruar

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo njeri që e lë shtëpinë dhe del, e presin tek dera e tij dy flamuj. Njëri prej tyre është në dorën e një engjëlli dhe tjetri në dorën e një shejtani. Nëse ai ka ndërmend të veprojë çfarë e kënaq Allahun, engjëlli do ta ndjekë atë me flamurin e tij dhe ai do të qëndrojë nën flamurin e engjëllit, derisa të kthehet në shtëpi. Por, nëse ai del për ndonjë punë që e hidhëron Allahun, shejtani me flamurin e tij do ta ndjekë atë dhe ai do të qëndrojë nën flamurin e tij derisa të kthehet në shtëpinë e tij”.[202] Transmeton Ahmedi dhe Tabaraniu. Zinxhiri i këtij hadithi është i vërtetë.

 

Konsultimi dhe istihara para se të fillojmë udhëtimin

Udhëtari duhet të konsultohet me njerëz të drejtë para se të fillojë udhëtimin, sepse Allahu thotë:

وَشَاوِرْهُمْ فِي الأَمْرِ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ

“…dhe konsultohu me ata në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut, se me të vërtetë Allahu i do ata që i mbështeten Atij”. (Ali Imran, 159).

Në një varg tjetër kuranor, Allahu i Madhëruar përmend:

وَأَمْرُهُمْ شُورَى بَيْنَهُمْ

“…dhe ata që konsultohen me njëri-tjetrin për punë të përbashkëta…” (Esh-Shura, 38).

Katade ka thënë: “Njerëzit që konsultohen me njëri-tjetrin duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, udhëzohen gjithmonë për në drejtimin më të mirë të çështjeve të tyre”.

Gjithashtu, udhëtari duhet të bëjë istihara dhe të kërkojë udhëzim nga Allahu.

Sead ibën Ebi Uakasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shenjë e lumturisë së njeriut është, kur ai i drejtohet Allahut për t’i kërkuar udhëzim dhe kur është i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu për të. Ndërsa shenjë e dëshpërimit të njeriut është, kur ai e lë istiharën dhe është i hidhëruar me caktimin e Allahut për të”.[203]

Në lidhje më këtë, Ibën Tejmije ka thënë: “Ai që kërkon udhëzim nga Krijuesi dhe konsultohet me krijesat e Tij, asnjëherë nuk ka për t’u penduar”.

 

Si ta bëjmë istiharën ?

Për këtë qëllim duhet të falen dy rekate nafile në çdo kohë, qoftë natën apo ditën dhe në çdo vend, në xhami apo në shtëpi. Në ato dy rekate lexohet çfarëdolloj sureje nga Kurani pasi të kemi thënë Fatihanë. Më pas duhet të falënderojmë Allahun dhe të dërgojmë bekime mbi Profetin (a.s.). Pas kësaj duhet t’i drejtohemi Allahut me lutjen e mëposhtme, të cilën e ka transmetuar Xhabiri prej Profetit (a.s.), kur ky i fundit u ka mësuar atyre Istiharën për çdo çështje[204], ashtu siç u mësonte suret e Kuranit. Profeti u ka treguar atyre: “Nëse dikush prej jush ka ndërmend të punojë diçka, duhet të falë dy rekate nafile dhe më pas le të thotë: “Allahumme inni estehiruke bi’ilmike, ue estekdiruke bi-kudretike, ue es’eluke min fadlike el-adhim fe-inneke tekdiru ue la ekdiru, ue ta’lemu ue la e’lemu, ue ente alamu-l gujub. Allahumme, in kunte te’alemu enne hadhal emrun hajrun li fi dini ue ma’ashi ue a’kibeti emri fekdirhu li ue jasirhu li thume barik li fijhi, ue in kunte te’alemu enne hadhal emrun sherrun li fi dini ue ma ‘ashi ua-akibeti emri fasrifhu anni ua-srifni anhu. Ue ekdir li el-hajra hajthu këne thume erdini bihi!”

(O Allah! Unë kërkoj udhëzim prej dijes Tënde, fuqi prej pushtetit Tënd dhe begati prej mirësive të Tua të mëdha! Ti je i aftë e unë jo, Ti di gjithçka dhe je njohës i së fshehtës, ndërsa unë nuk di. O Allah! Nëse e di që kjo çështje është e mirë për fenë time, për jetën e kësaj bote dhe për jetën e përtejme (Apo thua: Nëse është më e mirë për nevojat e pranishme dhe të mëvonshme), atëherë ma mundëso mua atë, ma lehtëso atë dhe pastaj më jep mirësi në të! O Zot! Nëse Ti e di se kjo çështje është e dëmshme për fenë time, jetën e kësaj bote dhe jetën e përtejme (Apo thua: Nëse është e keqe për nevojat e mija të pranishme e të mëvonshme), atëherë ma largo dhe më mbaj mua larg prej saj! O Zot! Më mundëso çdo gjë që është e mirë për mua dhe pastaj më bëj që të jem i kënaqur me të!). Profeti (a.s.) ka shtuar se gjatë lutjes personi duhet të përmendë nevojën e tij”.[205]

Nuk ka asgjë autentike në lidhje me ndonjë gjë të veçantë që duhet lexuar në këtë falje dhe po ashtu nuk ka asnjë transmetim autentik në lidhje me numrin e herëve që ajo duhet të përsëritet.

Neveviu mendon se, pasi ta bëjmë istiharën, duhet të veprojmë ashtu siç ndihemi më të sigurt, duke marrë parasysh nga anon zemra dhe nga ndihemi më mirë rreth asaj që veprojmë. Nuk duhet të insistojmë në atë që kishim dëshirë të bënim para se të kryenim istiharen. Nëse ndjenja jonë ndryshon, duhet lënë ajo që kishim ndërmend të bënim, se në të kundërtën nuk kemi lënë të bëhet zgjedhja nga ana e Allahut dhe në këtë mënyrë nuk kemi qenë të sinqertë në kërkimin e udhëzimit prej fuqisë dhe dijes së Allahut. Sinqeriteti në kërkimin e zgjedhjes së Allahut, do të thotë se duhet ta lëmë plotësisht atë që dëshirojmë nga vetja jonë, në rast se nuk na bëhet mbarë nëpërmjet istiharës”.

 

Pëlqehet udhëtimi ditëve të enjte

Buhariu transmeton se Profeti (a.s.) rrallëherë është nisur në udhëtim përveçse të enjteve.[206]

 

Falja e dy rekateve para udhëtimit

Mutam ibën Mikdami transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Asnjë nuk lë pas me familjen e tij, gjë më të mirë se dy rekate namaz që i kryen, kur ka ndërmend të udhëtojë”.[207] Transmeton Tabaraniu dhe Ibën Asakir. Zinxhiri i këtij transmetimi është mursel.

 

Pëlqehet të kesh shoqërues në udhëtim

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) e ka ndaluar vetminë, pra, që një njeri të flejë vetëm natën apo të udhëtojë i vetëm.[208] Transmeton Ahmedi.

Amër ibën Shuajbi transmeton prej babait dhe prej gjyshit të tij se, Profeti (a.s.) ka thënë: “Një kalorës i vetëm (udhëtar) është një shejtan, dy kalorës janë dy shejtanë, ndërsa tre janë një karvan”.[209]

 

Pëlqehet që të ndahesh me familjen dhe të afërmit dhe t’u kërkosh që të luten për ty

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dikush që ka planifikuar të nisë një udhëtim duhet t’u thotë atyre që lë pas: “Unë ju besoj juve tek Allahu, besim i të Cilit nuk humbet kurrë”.[210] Transmeton Ibën Sini.

Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur diçka është besuar nën kujdesin e Allahut, Ai e ruan atë”.[211] Transmeton Ahmedi.

Transmetohet prej Ebu Hurejrës se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush ka ndërmend të nisë një udhëtim, ai duhet t’u japë lamtumirën vëllezërve të tij, sepse Allahu mund t’i bëjë lutjet e tyre një mjet mirësie për të”.[212]

Është prej Sunetit që pjestarët e familjes, shokët dhe ata që përcjellin ndonjë udhëtar të luten për të, si në lutjet e mëposhtme të transmetuara nga Profeti (a.s.).

Selimi transmeton se, kur dikush dëshironte të niste një udhëtim, Ibën Umeri do t’i thoshte: “Hajde më tako mua para se të nisesh, me qëllim që të jap lamtumirën siç bënte Profeti (a.s.) me ne”. Pastaj ai thoshte: “Tek Allahu unë të besoj fenë tënde [213] amanetin tënd [214] dhe përfundimin e veprave të tua”.[215]

Sipas një transmetimi tjetër, Profeti (a.s.), kur i jepte lamtumirën ndonjërit prej shokëve të tij, ia shtrëngonte dorën dhe nuk ia lëshonte, derisa t’ia hiqte vetë shoku i tij. Pastaj ai citonte hadithin e mësipërm.[216] Ky hadith transmetohet nga Tirmidhiu dhe ai e konsideron të besueshëm (hasen sahih).

Enesi transmeton se një burrë ka shkuar tek Profeti (a.s.) dhe i ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Unë kam planifikuar të nisem për një udhëtim, prandaj të lutem më jep ndonjë porosi për udhëtimin!” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Allahu të bëftë të devotshëm!”. Burri ka thënë: “Më thuaj diçka më tepër!”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Allahu t’i faltë mëkatet e tua!”. Burri i është drejtuar sërish: “Më thuaj diçka më tepër!” Atëherë, Profeti (a.s.) i ka thënë: “Allahu ta lehtësoftë të mirën kudo që të jesh!”[217] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të besueshëm (hasen sahih).

Ebu Hurejra transmeton se një burrë i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Unë kam ndërmend të bëj një udhëtim, prandaj më jep disa këshilla. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Frikësoju Allahut të Plotëfuqishëm dhe madhëroje atë në çdo vend!”. Kur burri u bë gati për t’u larguar, Profeti (a.s.) i tha: “O Allah! Shkurtoja largësinë e udhëtimin dhe lehtësoja atë”.[218]

 

Kërkimi i lutjes prej udhëtarit

Umer ibën Hatabi transmeton se ka kërkuar leje prej Profetit (a.s.) për të kryer umrën. Ai i dha leje dhe i tha: “Mos na harro në lutjet e tua o vëllai im!”. Umeri ka thënë: “Kjo ishte fjala më e ëmbël për mua se gjithë pasuria e botës”.[219] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

 

Lutjet e udhëtimit

Është e pëlqyeshme për udhëtarin të thotë kur del nga shtëpia:

Bismilahi teuekeltu ala Allahi ue la haule ue la kuvete il-la bilah, Allahumme inni eudhu bike en edile eu udalu eu ezile eu uzele eu adhlime eu udhleme eu exhhele eu juxh-helu alejje”.

(Në emër të Zotit, i mbështetem vetëm Atij. Nuk ka fuqi apo pushtet tjetër veçse me lejen e Allahut. O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej devijimit të vetes apo dhe e të tjerëve nga rruga e drejtë! Më ndihmo që të mos përçaj të tjerët dhe as ata të mos më përçajnë! Më ruaj që të mos jem i padrejtë dhe po ashtu edhe të tjerët të mos sillen padrejtësisht ndaj meje! Më ndihmo që të mos sillem me injorancë me të tjerët dhe as ata të mos sillen me mua në këtë mënyrë!).[220]

Megjithatë, udhëtari mund të zgjedhë çfarë të dëshirojë prej lutjeve të transmetuara prej Profetit (a.s.). Më poshtë po përmendim disa prej këtyre lutjeve:

Ibën Abasi transmeton se, kur Profeti (a.s.) vendoste të udhëtonte, ai thoshte: “O Allah! Ti je shoqëruesi im në udhëtim dhe i Vetmi që kujdesesh për familjen. O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej shoqëruesve të pavlerë në udhëtim dhe prej gjetjes së dëmit kur të kthehen! O Allah! Shkurtoje largësinë e këtij udhëtimi dhe lehtësoje atë për ne!”. Ndërsa kur kthehej nga udhëtimi, ai thoshte: “Ne u kthyem të penduar, duke adhuruar Zotin tonë dhe duke e falënderuar Atë”. Kur shkonte tek familja e tij, ai thoshte, “Ne u kthyem tek Zoti ynë të penduar dhe mëkati nuk na prek ne”.[221] Transmeton Tabaraniu dhe Bezari me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari kur del nga shtëpia?

Abdullah ibën Serxhis transmeton se i Dërguari i Allahut, kur nisej për ndonjë udhëtim, thoshte: “O Allah! Kërkoj mbrojtje tek Ti prej vështirësisë së udhëtimit dhe prej ndryshimeve të këqija! Na ruaj prej turpit dhe prej mallkimit të atij personi që i është bërë padrejtësi! Na ruaj prej humbjes së trishtueshme në pasurinë dhe familjen tonë!”. Kur kthehej, ai thoshte të njëjtat fjalë: “…na ruaj prej humbjes së trishtueshme në familjen dhe në pasurinë tonë”,[222] duke cituar në fillim familjen dhe pastaj pasurinë. Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari kur hipën në mjetin e udhëtimit?

Ali ibën Rabia tregon se ka parë Aliun që i hipi një kafshe. Kur ai vendosi këmbën në lak, tha: “Me emrin e Allahut”. Pastaj kur u ul në të tha: “Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Madhështia i takon Atij, i Cili e nënshtroi këtë për ne pasi ne nuk do të ishim të aftë ta nënshtronim atë dhe tek Zoti ynë është kthimi. Pastaj ai e falënderoi Allahun tre herë dhe e lartësoi Madhështinë e Tij e tha: “Madhështia të takon Ty, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Unë i kam bërë padrejtësi vetes kështu që më fal mua. Askush nuk i fal mëkatët pëveç Teje”. Pastaj ai qeshi. Ali ibën Rabia e pyeti: “Përse qesh, o prijësi i besimtarëve?” Ai u përgjigj: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut duke vepruar të njëjtën gjë pastaj duke qeshur. Dhe unë e pyeta atë: Çfarë të bën të qeshësh, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: “Zoti kënaqet me robin e tij kur ai thotë: “O Zot më fal mua!”. Dhe Ai thotë: “Robi im e di se askush nuk i fal gjynahet përveç Meje”.[223] Transmeton Ahmedi dhe Hakimi, i cili thotë se hadithi është i vërtetë sipas kriterit të Muslimit. [Hadith Sahih; Sahih Ebu Daudi 2602]

El Ezdi transmeton se Ibën Umeri i mësoi atij se i Dërguari i Allahut e madhëronte Allahun tri herë duke qenë i ulur në devenë e tij për udhëtim. Më pas ai thoshte:

“Madhështia i takon vetëm Atij që e nënshtroi këtë për ne, pasi ne nuk mund ta nënshtronim atë. Tek Zoti ynë është kthimi. O Allah! Të lutemi Ty të na japësh në këtë udhëtim bindje e devotshmëri dhe vepra që Ty të pëlqejnë. O Allah! Na e bëj këtë udhëtim të lehtë dhe bëj të na duket i shkurtër! O Allah! Na shoqëro në këtë udhëtim dhe ruaji familjet dhe pasuritë tona! O Allah! Unë kërkoj mbrojtje tek Ti nga vështirësitë e këtij udhëtimi dhe nga mërzia në atë që shoh dhe nëse gjej që diçka i ka ndodhur pasurisë dhe familjes sime!”.

Kur ai kthehej nga udhëtimi, thoshte: “Kthehemi (nga udhëtimi) të penduar, adhurues dhe falënderues të Allahut të Madhërishëm”.[224] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari kur e zë nata në rrugë?

Abdullah ibën Umeri transmeton se, kur e zinte nata Profetin (a.s.) duke udhëtuar apo kur ishte në luftë, ai thoshte:

“O tokë! Zoti im dhe Zoti yt është Allahu. Unë i mbështetem Allahut të më mbrojë nga e keqja jote dhe nga e keqja që është në ty, nga e keqja që është krijuar mbi ty dhe nga e keqja që ecën sipër teje. Unë i mbështetem Allahut të më mbrojë nga luanët, nga gjarpërinjtë e mëdhenj të zinj, nga gjarpërinjtë dhe akrepët, nga e keqja e gjithçkaje që është në tokë, nga e keqja e një paraardhësi dhe nga ajo që ka lindur prej tij”.[225] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari kur ndalon në një vend?

Haula, e bija e Hakim Selemijes, transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush ndalon në një vend dhe pastaj thotë: Kërkoj mbrojtje tek fjaët e përsosura të Allahut prej të keqes së çdo krijese”, nuk ka për ta dëmtuar asgjë, derisa të largohet prej atij vendi”.[226] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut dhe Ebu Daudit.

 

Kur i afrohemi një fshati apo një vendi

Ata’ ibën Ebi Meruan transmeton nga babai i tij se Kabi është betuar për Atë (Allahun xh.sh.) që ia hapi detin Musait se Suhejbi i ka thënë atij se, kurdo që Profeti (a.s.) shihte një qytet në të cilin donte të hynte, ai thoshte:

“O Allah! Zot i shtatë qiejve dhe çka mes tyre, Zot i shtatë tokave dhe çka në to, Zot i djajve dhe i atyre që ata i kanë devijuar, Zot i erërave dhe i asaj që fryjnë ato. Të kërkoj Ty të mirën e këtij qyteti, të mirën e banorëve të tij dhe të mirën e çdo gjëje që gjendet në të. Mbështetem tek Ti nga e keqja e tij, e banorevë të tij dhe nga e keqja e çdo gjëje që gjendet në të”.[227] Transmeton Nesaiu, Ibën Hibani dhe Hakimi, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Ibën Umeri tregon: “Ne udhëtonim me të Dërguarin e Allahut dhe kur ai shihte ndonjë qytet dhe donte të hynte në të, thoshte:

“O Allah! Na dhuro begati nga ajo që gjendet në të, tri herë dhe “O Allah! Na jep ne furnizim nga të korrat e tij dhe na bëj të dashur për banorët e tij, dhe bëji njerëzit e devotshëm prej banorëve të tij të dashur tek ne”.[228] Transmeton Tabaraniu në “El Ausat” me një zinxhir të mirë transmetimi.

Aishja (r.a.) tregon: “Kurdoherë që i Dërguari i Allahut shkonte në ndonjë vend që dëshironte të hynte thoshte: “O Allah! Unë të lutem për të mirën e këtij vendi dhe të mirën që ti ke mbledhur në të. O Allah! Na furnizo me të mirat e tij dhe na mbro nga sëmundjet e tij. Na bëj të dashur për banorët e tij dhe bëji të devotshmit prej banorëve të tij të dashur tek ne”.[229] Transmeton Ibën Sini.

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari në agim?

Ebu Hurejra transmeton se kur i Dërguari i Allahut niste një udhëtim dhe e zinte agimi, ai thoshte:

“Dëgjoni dhe jini dëshmitarë për madhështinë e Allahut dhe të mirat që Ai na ka dhënë. Zoti ynë, na mbro dhe na favorizo, (pasi) ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga zjarri i xhehenemit!”.[230] Transmeton Muslimi.

 

Çfarë duhet të themi kur ngjitemi për në kodër, kur zbresim nga ajo dhe kur kthehemi nga udhëtimi?

Xhabiri tregon: “Ne thoshim Allahu ekber kur ngjiteshim në ndonjë vend të lartë, ndërsa kur zbrisnim nga ndojnë luginë thoshim Subhane Allah.[231] Transmeton Buhariu.

Ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.), kur kthehej nga haxhi apo nga umra dhe i afrohej ndonjë rrugice të vështirë që ngjitej për në mal, ai thoshte:

“Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Ai është i Vetëm dhe i pashoq. Atij i takojnë çdo sundim dhe falënderim dhe Ai ka pushtet mbi çdo gjë. Ne kthehemi të penduar, të përulur duke e adhuruar dhe e falënderuar Zotin tonë. S’ka dyshim se Ai e mban premtimin, i jep fitore robërve të Tij dhe i mund të gjithë armiqtë”.[232]

 

Çfarë duhet të thotë udhëtari kur hipën në anije?

Husejn ibën Ali transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Siguria për popullit tim kundër fundosjes është të thonë kur hipin në bordin e anijes apo të varkës:

وَقَالَ ارْكَبُوا فِيهَا بِاِسْمِ اللَّهِ مَجْرَاهَا وَمُرْسَاهَا إِنَّ رَبِّي لَغَفُورٌ رَحِيمٌ

Bismilahi mexhraha ue mursaha inne rabbi legafurun rahim (Hipni në të me emrin e Allahut, ajo lundron dhe ndalet. Me të vërtetë që Zoti im është Falës dhe Mëshirues i madh), (Hud, 41) dhe

وَمَا قَدَرُوا اللَّهَ حَقَّ قَدْرِهِ وَالأَرْضُ جَمِيعًا قَبْضَتُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَالسَّماوَاتُ مَطْوِيَّاتٌ بِيَمِينِهِ سُبْحَانَهُ وَتَعَالَى عَمَّا يُشْرِكُونَ

“Ue ma kaderullahe hakka kadrihi, uel erdu xhamian kabdatuhu jeumel kijameti ues semauati metuijetun bi jemijnihi subhanehu ue teala amma jushrikun”. (Ez-Zumer, 67). (Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në Ditën e Gjykimit e tërë toka është në grushtin e Tij e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga çdo e metë dhe është i Lartësuar nga çka i shoqërojnë ata).[233] Transmeton Ibën Sini.

 

Lundrimi në kohë të keqe

Nuk është i lejueshëm lundrimi në kohë të papërshtatshme, kur deti është i stuhishëm dhe i trazuar. Sipas një hadithi të transmetuar nga Ebu Umran El Xhauini, disa prej sahabëve i kanë thënë atij se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Ai që fle në majën e shtëpisë që nuk ka mur rrethues dhe pastaj bie dhe vdes, e ka humbur mbrojtjen e Allahut dhe kush lundron kur deti është i trazuar dhe pastaj mbytet, e ka humbur mbrojtjen e Allahut”.[234] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetuesish.

 


[1] Buhariu 7405, Muslimi 6746, Tirmidhiu 3837, Ibën Maxheh 3792, 3822, Ahmedi 2/251, 405, 454, 480, 482, 516, 517, 524, 534, 540.

[2] Muslimi 6749.

[3] Buhariu 6407.

[4] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2279. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3793.

[5] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2269, “Et Targib” 1493, “Sahihul Xhami” 2629. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3377, Ibën Maxheh 3790, Maliku 1/496, Ahmedi 5/195, 239.

[6] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2284. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3377 meukuf, Ibën Maxheh 3790 meukuf, Maliku 1/496 meukuf, Ahmedi 5/239 merfu.

[7] Hadith Sahih. “Muhtesar el Uluu” 1/75. E ka nxjerrë Ahmedi 4/268, 271, Ibën Maxheh 3809.

[8] Buhariu 4205, 6384, 6409, 6610, Muslimi 6802, 6808, Ebu Daudi 1526, 1527, 1528, Tirmidhiu 3461, Ibën Maxheh 3824.

[9] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 2562, “El Mishkat” 2271, “Et Targib” 1511. Tirmidhiu 3510, Bejhakiu në “Degët e Imanit” 1/322, Ebu Nuajm 6/354, El Hakim 1/494-495, Ahmedi 3/150.

[10] Muslimi 6797, Tirmidhiu 3379, Nesai 5441.

[11] Muslimi 6795, Tirmidhiu 3378, Ibën Maxheh 3791.

[12] Hadith Hasen. “El Mishkat” 2314, “Et Targib” 1524. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3590.

[13] Hadith Daif. “Ed Daife” 896, “Et Targib” 925, “Daiful Xhami” 2626. E ka nxjerrë Ahmedi 2/359, El Hakim 4/256.

[14] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1497, “El Mishkat” 2306, “Et Targib” 1526, “Sahihul Xhami” 1104. E ka nxjerrë Ibën Hibani 2326, Begaviu 1/144, Tirmidhiu 3383, Ibën Maxheh 3800.

[15] Me tesbih kuptojmë fjalën “Subhane Allah” që do të thotë “Lëvduar qoftë Zoti!” (Shënim i redaktorit).

[16] Me tehmid kuptojmë fjalën “El-hamdulilah”, që do të thotë “Falënderimi i takon Allahut”.  (Shënim i redaktorit).

[17] Me tehlil kuptojmë fjalën “La ilahe il-Allah”, që do të thotë “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”. (Shënim i redaktorit).

[18] Me tekbir kuptojmë fjalën “Allahu Ekber”, që do të thotë “Zoti është më i madhi”. (Shënim i redaktorit).

[19] Buhariu 6406, 7563, 6682, Muslimi 6786, Tirmidhiu 3467, Ibën Maxheh 3597.

[20] Muslimi 6787, Tirmidhiu 3597.

[21] Muslimi 6863.

[22] Hadith Sahih. Tirmidhiu 3593.

[23] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 64, “El Mishkat” 2304, “Et Targib” 1540, “Sahihul Xhami” 6429. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3464, Ibën Ebi Shejbe 12/125, El Hakim 1/501-502.

[24] La haule ue la kuvete ila bilah do të thotë se nuk ka fuqi apo pushtet veçse me lejen e Allahut (Shënim i redaktorit).

[25] Hadith Daif. “Et Targib” 946, “Daiful Xhami” 828. E ka nxjerrë Ahmedi 513, El Hakim.

[26] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 105. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3462, Ahmedi 5/418.

[27] Muslimi 5566, Ahmedi 5/10, 11, 20, 21.

[28] Buhariu 5008, 5009, 5040, 5051, Muslimi 1875, 1877, Ebu Daudi 1397, Tirmidhiu 2881, Ibën Maxheh 1368, 1369; nga Ebu Mesud el Ensari, dhe jo nga Ibën Mesudi.

[29] Referenca këtu është leximi i sures 112 (Surja Ihlas) të Kuranit, të cilën Profeti (a.s.) e ka përshkruar si të barabartë me një të tretën e leximit të Kuranit.

[30] Buhariu 5013, Muslimi 1883, Tirmidhiu 2896.

[31] “La ilahe il-Allah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir” përkthehet “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është i vetëm dhe i pashoq. Atij i takon falënderimi dhe i gjithë pushteti. Ai është në gjendje të bëjë ç’të dojë”. (Shënim i redaktorit).

[32] Buhariu 3293, 6403, Muslimi 6783, Tirmidhiu 3468, Ibën Maxheh 3798.

[33] Me istigfar kuptojmë të kërkuarit e faljes nga Allahu i Madhëruar. (Shënim i redaktorit).

[34] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 127, “El Mishkat” 2336, “Et Targib” 1616. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3540.

[35] Hadith Daif. “Ed Daife” 705, “El Mishkat” 2339, “Et Targib” 1002, “Daiful Xhami” 5829. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1518, Ibën Maxheh 3819, Bejhakiu 3/351.

[36] Njëra prej bashkëshorteve të Profetit (a.s.). (Shënim i redaktorit).

[37] Muslimi 6851, Ebu Daudi 1503, Tirmidhiu 3555, Nesai 1351, Ibën Maxheh 3808.

[38] Hadith Daif. “Ed Daife” nën hadithin nr. 83, “El Mishkat” 2311, “Et Targib” 959, “Daiful Xhami” 2155. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1500, Tirmidhiu 3568, Ibën Hibani 2330 –Zevaid, el Hakim 1/547-548.

[39] Hadith Daif. “Et Targib” 961, “Et Tealik er Ragib” 2/253, “Daiful Xhami” 1877. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3801.

[40] Hadith Hasen. “Ed Daife” 1/184 nën hadithin nr. 83, “El Mishkat” 2316, “Sahihul Xhami” 4087. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1501, Tirmidhiu 3583, Ibën Ebi Shejbe 2/282, El Hakim.

[41] Hadith Sahih. “Ed Daife” 1/184 nën hadithin nr. 83. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1502, Tirmidhiu3411, Ibën Hibani 2334-Mevarid, el Hakim 1/547, Bejhakiu 2/352.

[42] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 76, “Et Targib” 1513. E ka nxjerrë Ahmedi 2/463, Ibën Hibani 2322, El Hakim 1/492.

[43] Kjo lutje përkthehet: “Madhëria dhe falënderimet të takojnë vetëm Ty o Allah. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Kërkoj faljen Tënde dhe tek Ty kthehem i penduar”.

[44] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2433, “Et Targib” 1516, “Sahihul Xhami” 6192. Tirmidhiu 3433, Ahmedi 2/494.

[45] Hadith Daif. “El Mishkat” 4877. E ka nxjerrë Bejhakiu në “Ed Daavat el Kebir” dhe ka thënë se senedi i tij është i dobët.

[46] Hadith Sahih. “Ahkamul Xhenaiz” 194, “Et Targib” 1627, “El Mishkat” 2230, “Sahihul Xhami” 3407. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1479, Tirmidhiu 2969, 3247, Nesai , Ibën Maxheh 3828, Ibën Hibani Ahmedi 4/267, 271, 276.

[47] Hadith Daif. E ka përmendur Ibën Kethiri në “Tefsirin” e tij 1/400.

[48] Hadith Hasen. “El Mishkat” 2232, “Et Targib” 1629, “Sahihul Xhami” 5392. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3370, Ibën Maxheh 3829.

[49] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 593, “El Mishkat” 2240, “Et Targib” 1628, “Sahihul Xhami” 6290. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3382, Ibën Udej 255/1, Ibën Asakir 3/183,

[50] Hadith Daif. “Ed Daife” 4152. E ka nxjerrë Ebu Jeala në “Musnedin” e tij 5/143 (2757).

[51] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 2654, “El Mishkat” 2238, “Sahihul Xhami” 2418. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3373, Ibën Maxheh 3827.

[52] Hadith Daif xhiden – shumë i dobët. “Et Targib” 1014. E ka nxjerrë El Hakim 1/492, El Bagdadi në “Historinë e Bagdadit” 8/453.

[53] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 154, “El Mishkat” 2233, “Et targib” 1639, “Sahihul Xhami” 7687. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2139, Tahaviu 4/169, Ibën Maxheh 4022, Ahmedi 5/277, 280, 282 , El Hakim 1/493.

[54] Muslimi 6753, Ibën Hibani 2/127.

[55] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “Ed Daife” 1812. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat” 6640.

[56] Muslimi 2343, Tirmidhiu 2989.

[57] Buhariu 6343, Ebu Daudi 1161, Tirmidhiu 556, Ibën Maxheh 1267.

[58] Hadith Hasen. “El Mishkat” 968, 1231, E ka nxjerrë Tirmidhiu 3499.

[59] Muslimi 1083, Nesai 1136.

[60] Ether Sahih. “El Mishkat” 2256. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1489, 1490.

[61] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 595, “El Mishkat” 2242, “Sahihul Xhami” 593. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1486, Ibën Asakir 12/230-231.

[62] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2244, “Et Targib” 1635, “Sahihul Xhami” 1757, 2070. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1488, Tirmidhiu 3556, Ibën Maxheh 3865.

[63] Hadith Sahih. “Fadlu es Salati ala en Nebij” 1/86. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1481.

[64] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[65] Hadith Hasen Ligajrihi. “Et Targib” 1652, “Es Sahiha” 2/143. E ka nxjerrë Ahmedi 2/177.

[66] Hadith Hasen Sahih. “Et Targib” 1633, “El Mishkat” 2259, “Sherhul Akide et Tahavije” 1/522. E ka nxjerrë Ahmedi 3/18.

[67] Buhariu 6340, Muslimi 6869, 6870, Ebu Daudi 1484, Tirmidhiu 3387, Ibën Maxheh 3387.

[68] Buhariu 6339, Muslimi 6754, Ebu Daudi 1483, Tirmidhiu 3497, Ibën Maxheh 3854.

[69] Pejgamberi lutej shpesh me këtë lutje. Buhariu 4522, Muslimi 6781, 6782, Ebu Daudi 1519.

[70] Hadith Daif. “Ed Daife” 2851, “El Mishkat” 2490, “Et Targib” 1977, “Daiful Xhami” 3269. E ka nxjerrëTirmidhiu 3512, Ibën Maxheh 3848.

[71] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1138, “Et Targib” 3388, “Sahihul Xhami” 5703. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3851.

[72] Muslimi 7437, Ebu Daudi 1532.

[73] Hadith Daif. “Ed Daife” 4281, “Daiful Xhami” 4584. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1524, Ahmedi 1/394, 397.

[74] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2258, “Sahihul Xhami” 4723. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3385.

[75] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 596, “El Mishkat” 2250, “Et Targib” 3132, “Sahihul Xhami” 3031. E ka nxjerrë Buhariu në “El Edeb el Mufrad” 32, 481, Ebu Daudi 1536, Tirmidhiu 1905, 3448, Ibën Maxheh 3862, Ibën Hibani 2406, Tajalisi 2517, Ahmedi 2/258, 348, 478, 517, 523.

[76] Hadith Daif. “Ed Daife” 1358, “El Mishkat” 2249, “Et Targib” 583. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3598, Ibën Maxheh 1752, Ibën Huzejme 1901, Ibën Hibani 2407, 2408, Ahmedi 2/304-305, 445, 477.

[77] Muslimi 6866, Ebu Daudi 1534, Ibën Maxheh 2895.

[78] Hadith Daif. “El Mishkat” 2247, “Et Targib” 1823, “Ed Daife” 841. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1535, Tirmidhiu 1980.

[79] Hadith Daif.  “El Mishkat” 2248, “Rijadus Salihin” 378, “Daiful Xhami” 6278, 6377. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1498.

[80] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1640. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1493, Tirmidhiu 3475, Ibën Maxheh 3857.1

[81] Hadith Daif. “Ed Daife” 4520, “El Mishkat” 2432, “Et Targib” 1018. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3527.

[82] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2290, “Et Targib” 1641. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3544, Ibën Maxheh 3858.

[83] “La ilahe il-Allah” shqipërohet “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”. (Shënim i redaktorit).

[84] “Allahu ekber” shqipërohet “Allahu është më i madhi”. (Shënim i redaktorit).

[85]La ilahe il-Allahu uehdehu la sherike lehu” në shqip do të thotë “Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Ai nuk ka asnjë rival”. (Shënim i redaktorit).

[86] “Lehu el mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir” do të thotë “Atij i takon pushteti dhe të gjitha falënderimet dhe Ai është i fuqishëm mbi çdo send”. (Shënim i redaktorit).

[87] “La ilahe il-Allahu ue la haule ue la kuvete ila bil-lahi” do të thotë “Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe nuk ka asnjë pushtet e asnjë fuqi veç Tij”. (Shënim i redaktorit).

[88] Hadith Daif. “Ed Daife” 5311, “Et Targib” 1021. E ka nxjerrë Taberani në “El kebir” dhe në “El Eusat”.

[89] Muslimi 6784, Ebu Daudi 5091, Tirmidhiu 3469.

[90] Muslimi 6846, Ebu Daudi 5071, Tirmidhiu 3390.

[91] Hadith Hasen Sahih. “El Mishkat” 2163, “Et Targib” 649, “Sahihul Xhami” 4406. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5082, Tirmidhiu 3575.

[92] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 262, “El Mishkat” 2389, “Sahihul Xhami” 353. E ka nxjerrë Buhariu në “El Edebu el Mufrad” 1199, Ebu Daudi 5068, Ibën Maxheh 3868, Ibën Hibani 2354, Ahmedi 2/354, 522.

[93] O Allah! Ti je Zoti im dhe nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti më krijove mua dhe unë jam robi Yt. Unë përpiqem me sa mundësi kam të ruaj besimin tim tek Ty dhe të jetoj me shpresën e premtimit Tënd. Kërkoj mbrojtje tek Ty nga e keqja që kam bërë. Jam i njohur me dhuntitë e tua të panumërta që më ke dhuruar dhe i pranoj mëkatet e mia. Prandaj më fal mua, se nuk ka tjetër Falës mëkatesh veç Teje!

[94] Buhariu 6306, 6323, Nesai 5522, Tirmidhiu 3393, Ahmedi 4/122, 125.

[95] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2753, “Fajala e bukur” 22. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3392, Tajalisi 2582, Ibën Ebi Shejbe 10/237 – 9323, Ahmedi 2/297, Buhariu në librin “Krijimi i veprave të njerëzve” f. 74, 94.

[96] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2391, “Et Targib” 655, “Fjala e Bukur” 23, “Sahihul Xhami” 5745 E ka nxjerrë Ebu Daudi 5088, Tirmidhiu 3388, Ibën Maxheh 3869, Ahmedi 1/446, 474, Ibën Hibani 2352, el Hakim 1/514.

[97] Hadith Daif. “Fjala e bukur” 24, “Ed Daife” 5020, “Daiful Xhami” 5735. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3389.

[98] Hadith Daif. “Ed Daife” 1041, “Et Targib” 383, “Fjala e bukur” 25, “Daiful Xhami” 5731. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5069, 5078, Tirmidhiu 3747

[99] Hadith Daif. “El Mishkat” 2407, “Et Targib” 385, “Fjala e bukur” 26, “Daiful Xhami” 5730. Ebu Daudi 5073.

[100] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2397, “Fjala e bukur” 27. Ebu Daudi 5074, Ibën Maxheh 3871.

[101] Hadith Hasen. “Tamamul Mineh” 232, “El Mishkat” 2413. E ka nxjerrë Ebu Daudi , Nesai në “Veprat e ditës dhe të natës” 22, 572, Ibën Sini 67, Ahmedi 5/42, el Hakim 1/35.

[102] Hadith Daif. E ka nxjerrë Ibën Sini në “Veprat e ditës dhe të natës” 19.

[103] Hadith Daif. “El Irva” 2366. E ka nxjerrë Ibën Sini në “Veprat e ditës dhe të natës” 62, Ebu Daudi 4886.

[104] Hadith Daif ose Meudu – i trilluar. “Et Targib” 382, “Ed Daife” 5286. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5081, Ibën Sini “Veprat e ditës dhe të natës” 70.

[105] Hadith Daif. “Fjala e bukur” 28. E ka nxjerrë Ibën Sini 56.

[106] Buhariu 6312, 6314, 6324, 6325, 7394, Muslimi 6825, Ibën Maxheh 3880.

[107] Hadith Sahih, por pa shtesën “tre herë”. “Es Sahiha” 2754, “El Mishkat” 2400, “Fjala e bukur” 36, “Sahihul Xhami” 4656, 4790. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5045, Tirmidhiu 3398, Ibën Maxheh 3877, Buhariu në “El Edebul Mufrad” 1215, Nesai në “Veprat e ditës dhe të natës” 449, 753, Ahmedi 4/290, 298, 303, Ibën Ebi Shejbe 8/76 – 6588.

[108] Muslimi 6827, Ebu Daudi 5051, Ibën Maxheh 3873.

[109] Muslimi 6832, Ebu Daudi 5053, Tirmidhiu 3396.

[110] Buhariu 6319, Ebu Daudi 5056, Tirmidhiu 3402.

[111] Buhariu 6320, Muslimi 6830, Ebu Daudi 5050.

[112] Buhariu 3113, 3705, 5360, 5362, 6318, Muslimi 6853, Ebu Daudi 5062, Tirmidhiu 3408.

[113] Ajeti 255 i sures El Bekare.

[114] Buhariu 2311, 3275.

[115] Buhariu 247, 6311, Muslimi 6820, Ebu Daudi 5046, 5047, 5048, Tirmidhiu 3394, 3574.

[116] Hadith Hasen. “Fjala e bukur” 46, “Sahihul Xhami” 329. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3401, Ibën Sini me nr. 9, f. 14.

[117] Hadith Daif. “El Mishkat” 1214, “El Kelimu et tajib- Fjala e bukur” 45. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5061.

[118] Buhariu 1154, Ebu Daudi 5060, Tirmidhiu 3414, Ibën Maxheh 3878.

[119] Hadith Hasen Ligajrihi pa shtesën nga Ibën Umeri. “El Mishkat” 2477, “Et Targib” 1601, “Fjala e bukur” 48/35, “Sahihul Xhami” 701. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3893, Tirmidhiu 3528.

[120] Hadith Daif. “Et Targib” 993.

[121] Hadith Daif. E ka përmendur El Hejthemi në “Mexhmea ez Zevaid” dhe thotë se e ka transmetuar Taberani.

[122] Muslimi 5864, Ebu Daudi 5022, Ibën Maxheh 3908.

[123] Buhariu 6985, Muslimi 5863 me shprehje të përafërt nga Ebu Ubade, Ebu Daudi 5021, Tirmidhiu 3453.

[124] Hadith Hasen. “El Mishkat” 4343, “Et Targib” 2042. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4023, Ibën Maxheh 3285.

[125] Hadith Sahih. “El Mishkat” 4342. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4020, Tirmidhiu 1767.

[126] Hadith Daif. “Ed Daife” 4649, “El Mishkat” 4374, “Et Targib” 1249, “Daiful Xhami” 5827. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3560, Ibën Maxheh 3557, Ahmedi.

[127] Buhariu 5823, 5845, Ebu Daudi 4024.

[128] Hadith Sahih. Ebu Daudi 4020, Tirmidhiu 1838.

[129] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 352. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3558, Ibën Sini në “Veprat e ditës dhe të natës” 262, Ahmedi 5363.

[130] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 3610. E ka nxjerrë Ibën Sini 20, 21.

[131] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2443, “Et Targib” 1605. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5095, Tirmidhiu 3426.

[132] Hadith Daif. “Et Targib” 995. E ka nxjerrë Ahmedi 1/66; nga Uthmani dhe jo nga Enesi.

[133] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2442, “Fjala e bukur” 60, “Sahihul Xhami” 4708. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5094, Tirmidhiu 3427, Nesai 5486, Ibën Maxheh 3884, Ahmedi 6/306.

[134] Muslimi 5230, Ebu Daudi 3765, Ibën Maxheh 3887.

[135] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 225, “El Mishkat” 2444, “Sahihul Xhami” 839. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5096.

[136] Hadith Hasen Sahih. “El Kelimu et Tajib” 63, “El Mishkat” 4652, “Et Targib” 1608. Tirmidhiu 2698.

[137] Hadith Daif. “Ed Daife” 2012, “Fjala e bukur” 139, “Daiful Xhami” 5026. E ka nxjerrë Ibën Sini 351, Ibën Ebi Dunja në “Esh Shukr” nr. 1, Bejhakiu në “Degët e besimit” 4/124, Taberani në “Es Sagir” f.122.

[138] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 265, “Sahihul Xhami” 4640. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3803, Ibën Sini 372, El Hakim 1/499.

[139] Hadith Sahih, pa shtesën “kur shihej në pasqyrë, ndërsa me këtë shtesë është Daif. Shih transmetimet e tij në “El Irva” 1/113 (nr.74).

[140] Hadith Daif. “El Irva” 1/114. E ka nxjerrë Ibën Sini 162, Taberani në “El Eusat”, El Hatib në “El Xhami” 4/90, Ebu Shejh në “El Ahlak” 185.

[141] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 602, 2737. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3432, Ebu Nuajm në “El Hilje” 5/13, Ibën Asakir në “Historia e Damaskut” 15/255.

[142] Buhariu 3303, Muslimi 6857, Ebu Daudi 5102, Tirmidhiu 3459.

[143] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 3184, “Fjala e bukur” 220, “Sahihul Xhami” 620. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5103.

[144] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1516, “Fjala e bukur” 154, “Sahihul Xhami” 3564. Ebu Daudi 5097, Ibën Maxheh 3727.

[145] Muslimi 2082, Tirmidhiu 3449, Ibën Maxheh 3891.

[146] Hadith Daif. “Ed Daife” 1042, “El Mishkat” 1521, “Fjala e bukur” 159, “Daiful Xhami” 4421. E ka nxjerrë Buhariu në “El Edeb el Mufrad” 271, Tirmidhiu 3450, Ibën Sini 298, Nesai 927, 928, El Hakim 4/296, Bejhakiu 3/362, Ahmedi 2/100-101.

[147] Hadith Sahih nga dëshmuesit e shumtë për të. “Es Sahiha” 1816, “El Kelimu et tajib – Fjala e bukur” 162. E ka nxjerrë Tirmidhiu , El Hakim 4/285, Ahmedi 1/162, Ebu Jeala 1/191, Ibën Sini 635, Darimi 2/4, Ibën Ebi Asim 376.

[148] Këtu Profeti (a.s.) ka përmendur emrat e muajve sipas rastit.

[149] Hadith me sened Daif. “Ed Daife” 3506, “El Mishkat” 2451, “Daiful Xhami” 4407. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5092 pa sened dhe Ibën Sini nga Ebu Seid el Hudri.

[150] Buhariu 6345, 6346, 7426, 7431, Muslimi 7858, Tirmidhiu 3435, Ibën Maxheh 3883.

[151] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 3182, “El Kelimu et Tajib” 119. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3524, Ibën Sini 339.

[152] Daif Xhiden – shumë i dobët. “Fjala e bukur” 119, “Daiful Xhami” 4356. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3436.

[153] Profeti (a.s.) ka përdorur shumë lutje të mrekullueshme, megjithëse kur ato përkthehen në gjuhë të tjera e humbasin disi kuptimin thelbësor. Lutja në fjalë nxjerr në pah vlerat e larta të besimtarit, i cili ia beson çdo gjë Zotit të tij, duke i shprehur përulje dhe mirënjohje. (Shënim i redaktorit).

[154] Hadith Hasen. “El Kelimu et Tajib” 121, “El Mishkat” 2447. E ka nxjerrë Ebu Daudi 5090, Ahmedi 5/42, Ibën Hibani 2370.

[155] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2755, “Et Targib” 1824, “Fjala e bukur” 122, “Sahihul Xhami” 2623. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1525, Ibën Maxheh 3882.

[156] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2292, “Et Targib” 1644, “Fjala e bukur” 123, “Sahihul Xhami” 3383. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3505.

[157] Transmetim Daif. “Fjala e bukur” nën hadithin nr. 123.

[158] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 199. E ka nxjerrë Ahmedi 3712, El Harith ibën Ebi Usame në “Musnedin” e tij f.251, Ebu Jeala 156/1, Taberani në “El Kebir” 3/74, Ibën Hibani 2372, el Hakim 1/509.

[159] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2441, “Fjala e bukur” 125, “Sahihul Xhami” 4706. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1537, Ahmedi 4/414, 415, el Hakim 2/142.

[160] Hadith Daif. E ka nxjerrë Ibën Sini 336.

[161] Hadith Daif Xhiden. “El Kelimu et Tajib” 128, “Daiful Xhami” 479. E ka nxjerrë Ibën Sini 347.

[162] Buhariu 4563.

[163] Hadith Daif. “El Mishkat” 3784, “Fjala e bukur” 138, “Daiful Xhami” 1759. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3627, Bejhakiu 10/181.

[164] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2886. E ka nxjerrë Ibën Sini 351, Ibën Hibani 2427.

[165] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 266, “El Mishkat” 2449, “Et Targib” 1820, “Fjala e bukur” 144, “Sahihul Xhami” 2625. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3563, Ahmedi 1/153, El Hakim 1/538.

[166] Hadith Daif. “Et Targib” 1141, “Gajetul Meram” 347.  E ka nxjerrë Ebu Daudi 1555.

[167] Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai është kthimi ynë. (Shënim i redaktorit).

[168] Daif Xhiden – shumë i dobët. “El Kelimu et Tajjib” 141, “Ed Daife” 1362, “Daiful Xhami” 4949. E ka nxjerrë Ibën Sini 354.

[169] Muslimi 6716, Ibën Maxheh 79.

[170] Buhariu 3276, Muslimi 343, Ebu Daudi 4721.

[171] Muslimi 341.

[172] Buhariu 3282, 6048, 6115, Muslimi 6589, 6590, Ebu Daudi 478.

[173] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1482. Nxjerrja e tij është përmendur edhe më parë.

[174] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[175] Muslimi 6776, Tirmidhiu 3487, 3488.

[176] Hadith Hasen. “Sahihul Xhami” 3671. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1480, Ibën Maxheh 3864, Ahmedi 1/172, 183, 4/86, 87, 5/55.

[177] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2488. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1510, Tirmidhiu 3551, Ibën Maxheh 3830, Ahmedi 1/227.

[178] Muslimi 6844, Nesai 5473.

[179] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 844. “Sahihul Xhami” 81. E ka nxjerrë Ahmedi 2/299, Ebu Nuajm 9/223, el Hakim 1/499.

[180] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1536, “Sahihul Xhami” 1250. E ka nxjerrë Ahmedi 4/177, el Hakim 1/498-499, Ibën Asakir 6/107, Tirmidhiu 3524.

[181] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2091. E ka nxjerrë Ahmedi 4/182, 418, 6/91, 251, 294, 302, 315.

[182] Hadith Sahih. Muslimi 6879, Ebu Daudi 1545.

[183] Hadith Sahih pa shtesën “Falënderoj Allahun në çdo gjendje…”. “El Mishkat” 2493, “Es Sahiha” 3151. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3599, Ibën Maxheh 251, 3833.

[184] Muslimi 6829, 6827, Tirmidhiu 3481, Ibën Maxheh 3831.

[185] Muslimi 6842, Tirmidhiu 3489, Ibën Maxheh 3832.

[186] Hadith Hasen. “Fjala e bukur” 226, “El Mishkat” 2492. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3502, El Hakim 1/528, Ibën Sini 448.

[187] Buhariu e ka përmendur mualak në kapitullin e Tefsirit, tema “Allahu dhe engjëjt e Tij lavdërojnë Pejgamberin…”

[188] Muslimi 911 nga Ebu Hurejra, Ebu Daudi 1530, Tirmidhiu 485, Nesai 1295.

[189] Hadith Daif. “El Mishkat” 923, “Daiful Xhami” 1821. E ka nxjerrë Tirmidhiu 484.

[190] Hadith Sahih. “El Mishkat” 926, “Sahihul Xhami” 7226. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2042, Ahmedi 2/367.

[191] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1527, “El Mishkat” 1361, ‘Et Targib” 698, “El Irva” 1/34, “Sahihul Xhami” 2212. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1047, 1531, Nesai 1374, Darimi 1/369, Ibën Maxheh 1085, 1636, El Hakim 1/278, Ahmedi 4/8.

[192] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2266, “El Mishkat” 925, “Sahihul Xhami” 5679. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2041, Bejhakiu 5/245, Ahmedi 2/227, Taberani në “El Eusat” 449.

[193] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 57, “Es Sahiha” 829, “El Mishkat” 937, “Et Targib” 1661. E ka nxjerrë Ahmedi 1/4, 3/44.

[194] Hadith Daif. “El Mishkat” 932, “Daiful Xhami” 5626. E ka nxjerrë Ebu Daudi 982, Bejhakiu 2/151.

[195] Hadith Hasen. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2457.

[196] Hadith Sahih. “El Irva” 1/36, “El Mishkat” 927, “Et Targib” 1680, “Sahihul Xhami” 3510. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3545, El Hakim 1/549.

[197] Hadith Sahih. “Fadlu es Salati ala Nebij” 37, “Et Targib” 1684. E ka nxjerrë Ahmedi 2/254.

[198] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 74, “Fadlu es Salati ala Nebij” 54, “El Mishkat” 2274, “Et Targib” 1512, “Sahihul Xhami” 5607. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3604, El Hakim 1/496, Ibën Sini 443, Ahmedi 2/446, 453, 481, 495.

[199] Muslimi 906, Ebu Daudi 980, 981, Tirmidhiu 3220, Nesai 1284.

[200] Hadith Daif. “Et Targib” 1039, “Fadlus salati alan nebij” 62. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 906.

[201] Hadith Daif. “Ed Daife” 254, “Daiful Xhami” 3210. E ka nxjerrë Ahmedi 2/380.

[202] Ahmedi 2/323.

[203] Hadith Daif. “Ed Daife” 1906, “El Mishkat” 5303, “Et Targib” 420, “Daiful Xhami” 5300. E ka nxjerrë Ahmedi 1/168, Tirmidhiu 2151, El Hakim 1/518, Ibën Asakir 16/232.

[204] Sheukani thotë: “Ky është argument se Istiharja është gjithpërfshirëse dhe se njeriu nuk duhet ta anashkalojë  duke mos i interesuar istiharja, apo nënvleftësojë atë, sado i vogël që të jetë problemi. Kjo, sepse ndoshta njeriu e quan  një punë që i del përpara të lehtë dhe në dëshirën e tij për ta kryer has në pasoja vërtet të dëmshme për të. Prandaj Profeti (a.s.) thoshte: “Le ta lusë secili prej jush Zotin e tij për çdo gjë, qoftë edhe për lidhësat e sandaleve të tija”.

[205] Buhariu 6382, Nesai 3253, Tirmidhiu 480, Ibën Maxheh 1383.

[206] Buhariu 2949, Ebu Daudi 2605.

[207] Hadith Daif. “Ed Daife” 372, “Daiful Xhami” 5061. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 1/105, El Hatib el Bagdadi në “El Muvadih” 2/220-221, Ibën Asakir 16/297.

[208] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 60, “Daiful Xhami” 6919. E ka nxjerrë Ahmedi 2/91.

[209] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 62, “El Mishkat” 3910, “Et Targib” 3108, E ka nxjerrë Ebu Daudi 2607, Tirmidhiu 1674, Maliku 2/978.

[210] Hadith Daif. “Ed Daife” 1470, “Daiful Xhami” 353. E ka nxjerrë Ibën Udej në “El Kamil” 136/2, Ahmedi 2/403, Ibën Sini 499.

[211] Hadith Sahih. “Es sahiha” 2547, “Et Targib” 874, “Fjala e bukur” 169, “Sahihul Xhami” 1708. E ka nxjerrë Nesai në “Veprat e ditës…” 509, Ibën Hibani 2376, Bejhakiu 9/173, Taberani 3/206, Ahmedi 2/87.

[212] Hadith Meudu – i trilluar. “Ed Daife” 1623, “Daiful Xhami” 470. E ka nxjerrë Ebu el Abas el Esam në “Hadithin” e tij, 139, Dejlemi 1/108, Ibën Asakir 16/203.

[213] Veçanërisht detyrat kryesore të adhurimit, sepse gjatë nxitimit dhe rropatjes së udhëtimit ato mund të harrohen apo neglizhohen.

[214] D.m.th. familjen e tij, ata që ai lë pas dhe pasurinë e tij.

[215] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 14, “Fjala e bukur” 170. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2600, Tirmidhiu 3443, El Hakim 2/97, Ahmedi 2/7, 25, 38, 136, Ibën Asakir 14/290, 15/469.

[216] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 16, 2485, “Fjala e bukur” 170, “Sahihul Xhami” 4795. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3442.

[217] Hadith Hasen. “Fjala e bukur” 171. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3444, El Hakim 2/97.

[218] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1730, “El Mishkat” 2438, “Fjala e bukur” 172. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3445, Ibën maxheh 2771, Ibën Hibani 2378, el Hakim 2/98, Ibën Ebi Shejbe 12/35, Ahmedi 2/325, 331, 443, 476, Ibën Huzejme 1/256.

[219] Hadith Daif. Është përmendur më parë.

[220] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[221] Ahmedi 1/256, 299, 300, Bejhakiu 5/250.

[222] Muslimi 3263, Tirmidhiu 3439, Nesai 5513, 5514, 5515, Ibën Maxheh 3888, Ahmedi 5/82, 83.

[223] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2434, “Fjala e bukur” 173, “Sahihul Xhami” 2069. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2602, Tirmidhiu 3446, Ahmedi 753, 970, 1056, Ibën Hibani 2380, 2381, el Hakim 2/98, 99.

[224] Muslimi 3262, Ebu Daudi 2599, Tirmidhiu 3447, Ahmedi 2/144, 150.

[225] Hadith Daif. “Ed Daife” 4837, “El Mishkat” 2439, “Fjala e bukur” 181, “Rijadus Salihin” 990. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2603, Ahmedi 2/132, 3/124, el Hakim 2/100.

[226] Muslimi 6817, Tirmidhiu 3437, Ibën Maxheh 3547, Ahmedi 25872.

[227] Hadith Sahih me rrugë tjetër transmetimi. “Tamamul Mineh” 323, “Fjala e bukur” 179, “Es Sahiha” 2759. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[228] Hejthemi e ka përmendur në “Mexhmea ez Zevaid” 10/134, dhe thotë se e ka transmetuar Taberani në “El Eusat” me zinxhir të mirë transmetimi.

[229] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 323. E ka nxjerrë Ibën Sini në “Veprat e ditës dhe të natës” f.196.

[230] Muslimi 6838, Ebu Daudi 5086, Ibën Sini 515.

[231] Buhariu 2993, 2994, Ahmedi 14041.

[232] Buhariu , Muslimi 1797, 6385, Muslimi 3265, 3266, Ebu Daudi 2770, Maliku 1/421, Ahmedi 2/63.

[233] Hadith Meudu – i trilluar. “Ed Daife” 2932, “Daiful Xhami” 1248. E ka nxjerrë Ibën Sini me nr. 501.

[234] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 828. E ka nxjerrë Ahmedi 4/79, 5/79, 271.