SURJA EL HAXH
(Surja Nr. 22, Mekase, 78 ajete)
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- O njerëz! Ruajuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (Kiametit), është vërtet diçka e madhe![1]
- Ditën që do ta shihni atë (dridhjen e Kiametit), çdo nënë me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën dhe çdo grua shtatzënë do ta dështojë barrën e vet. Njerëzit do t’i shohësh të dehur, mëgjithëse nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është shumë i ashpër.[2]
- Ka disa njerëz që diskutojnë për Allahun, pa pasur aspak dije dhe ndjekin rrugën e çdo djalli të pabindur.[3]
- Për të (djallin) është caktuar që kush e bën mik, ai (djalli) do ta devijojë atë (mikun) dhe do ta drejtojë në dënimin e Zjarrit.[4]
- O njerëz! Nëse jeni në dyshim për ringjalljen, (kujtoni që) Ne ju kemi krijuar nga dheu, pastaj nga një pikë farë, pastaj nga një droçkë gjaku të ngjitshme, pastaj nga një llokmë mishi – e formuar plotësisht ose e paformuar – për t’jua bërë të qartë (fuqinë Tonë)! Ne bëjmë të qëndrojnë në mitra ato (embrione) që duam deri në një afat të caktuar, pastaj ju nxjerrim si foshnjë që më pas të arrini moshën e fuqisë suaj. Disa nga ju vdesin herët, ndërsa të tjerë lihen deri në fazën më të pafuqishme të jetës, për të mos ditur më asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe e sheh tokën të tharë, por sapo Ne lëshojmë ujin (shiun) mbi të, ajo gjallërohet dhe gufon, duke prodhuar nga të gjitha llojet e bimëve të mrekullueshme.[5]
[1] O njerëz! Ruajuni dënimit të Zotit tuaj duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke qëndruar larg ndalesave të Tij, sepse ato që do të ndodhin në Orën e Kiametit prej dridhjes së fortë të Tokës dhe dukurive të shkatërrimit që vijojnë pas dridhjes nga çdo anë e Tokës dhe nga qielli, janë vërtet diçka e madhe dhe e tmerrshme, sa që nuk mund ta përcaktojë e ta përshkruajë askush përveç Zotit të botëve.
[2] Ditën kur ta shihni dridhjen e Orës së Kiametit, nëna me fëmijë në gji do ta harrojë dhe do të lërë fëmijën e saj, dhe gruaja shtatzënë do ta dështojë fëmijën e saj, nga tmerri i madh i asaj dite. Njerëzit do t’i shohësh të dehur nga tmerri, o Muhamed, megjithëse nuk janë të dehur nga alkooli, por ashpërsia e dënimit të Allahut dhe tmerri i madh i asaj dite do ua humbi mendjen dhe perceptimin.
[3] Ka disa njerëz, të cilët janë kokat e mohimit dhe idhujtarisë (si Nadir ibën el Harith dhe grupi i tij), që diskutojnë për Allahun dhe vënë në dyshim fuqinë e Allahut për ringjalljen, pa pasur asnjë dije dhe njohuri për fuqinë e Allahut, por duke ndjekur çdo shejtan të rebeluar ndaj Allahut dhe të dërguarve të Tij.
[4] Allahu e ka caktuar për shejtanin, që kushdo që e bën mik atë, ai (shejtani) do ta devijojë ndjekësin e tij dhe nuk do ta drejtojë në rrugën e drejtë, por do ta drejtojë në dënimin e zjarrit të Xhehenemit, si ndëshkim për pasimin e tij.
[5] O njerës! Nëse ju jeni në dyshim në lidhje me ringjalljen tuaj nga Allahu, kujtoni krijimin tuaj të parë kur ju nuk ekzistonit dhe nuk ishit asgjë, por Ne me fuqinë Tonë e krijuam babanë tuaj, Ademin, nga dheu, pastaj bëmë që pasardhësit e tij të shtoheshin nga një pikë sperme që burri e lëshon në mitrën e gruas, pastaj ajo pikë sperme – me fuqinë e Allahut – shndërrohet në një copë gjaku të mpiksur që ngjit si shushunja, pastaj shëndërrohet në një llokmë mishi të përtypur, e cila ndonjëherë është e formuar plotësisht dhe përfundon me mbartjen dhe lindjen e sukseshme të fëmijës, dhe ndonjëherë është e paformuar, duke dështuar para se të marrë trajtën e njeriut, me qëllim që t’ju tregojmë përsosmërinë e Fuqisë Sonë në fazat e krijimit tuaj. Dhe Ne bëjmë të zënë vend në mitra ato embrione që duam, deri në afatin e caktuar të lindjes së tyre. Këto faza plotësohen me nxjerrjen e foshnjës të gjallë nga barku i nënës, për t’u rritur gradualisht deri sa të arrini moshën e rinisë dhe fuqisë tuaj fizike dhe mendore. Disa prej jush vdesin herët, para se ta arrijnë moshën e fuqisë, ndërsa të tjerë lihen të jetojnë aq gjatë sa të arrijnë moshën e pleqërisë më të pafuqishme fizike dhe mendore, për të mos ditur më asgjë nga ato që dinin më parë. Po kështu, nga provat e fuqisë Sonë për ringjalljen tuaj, është edhe toka që e shihni të tharë e të vdekur, pa asnjë bimë mbi të, por sapo Ne lëshojmë shiun mbi të, ajo gjallërohet dhe lëviz e gufon nga bimët që mbijnë prej saj dhe vazhdojnë të rriten, duke prodhuar nga të gjitha llojet e bimëve të mrekullueshme e të këndshme për syrin e njeriut dhe për jetën e shëndetin e tij.
-332-
- Kjo (dëshmon) se Allahu është i Vërteti, se Ai i ringjall të vdekurit dhe se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë,
- se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim, dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.[1]
- Ka disa njerëz që diskutojnë për Allahun pa kurrfarë diturie, udhëzimi apo libri ndriçues,[2]
- duke shtrembëruar qafën (me mendjemadhësi), për t’i larguar të tjerët nga rruga e Allahut. Këta do të turpërohen në këtë botë, kurse në Ditën e Kiametit do t’i bëjmë të shijojnë dënimin e djegies (me Zjarr).[3]
- “Ky (dënim) është për atë që kanë bërë duart tuaja, sepse Allahu nuk është kurrë i padrejtë ndaj robërve të Tij.”[4]
- Ka edhe disa që e adhurojnë Allahun me mëdyshje; Nëse u vjen ndonjë e mirë, kënaqen me të (dhe vazhdojnë të adhurojë Allahun), por, nëse i godet ndonjë sprovë, kthehen përmbys (në mohim), duke e humbur këtë botë dhe botën tjetër. Kjo është vërtet humbja më e qartë.[5]
- Në vend të Allahut, ata u luten atyre që as nuk mund t’i dëmtojnë as nuk mund t’u bëjnë dobi. Kjo është vërtet humbja më e largët.[6]
- Ata u luten atyre, dëmi i të cilëve është më i afërt se dobia e tyre; Sa mbrojtës të keq dhe sa shok të keq (që lusin)![7]
- Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshte, nën të cilat rrjedhin lumenj. Pa dyshim, Allahu bën çfarë të dojë.[8]
- Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë atë (Muhamedin) në këtë botë dhe në botën tjetër, le të lidhë një litar në tavan e të varet! Pastaj le të shohë nëse ky lak do t’ia largojë zemërimin![9]
[1] Kjo që u përmend në ajetin pararendës dëshmon se Allahu është Zoti dhe Krijuesi i Vetëm dhe i Vërteti që meriton të adhurohet – kurse gjithçka tjetër që adhurohet përveç Allahut është e pavërtetë – se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për të bërë çdo gjë që dëshiron, se Ora e Kiametit dhe e ringjalljes është duke ardhur, dhe për këtë nuk ka pikë dyshimi, dhe se Allahu do t’i ringjallë të vdekurit nga varret e tyre për t’u kërkuar llogari dhe për t’i shpërblyer sipas asaj që kanë vepruar në këtë botë.
[2] Ka disa njerëz mohues që diskutojnë me fjalë të pavërteta në lidhje me Allahun, njësimin e Tij në adhurim, zgjedhjen e të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe në lidhje me këtë Kuran, duke qenë se nuk kanë kurrfarë diturie, udhëzimi apo libri ndriçues nga Allahu që të jetë provë dhe argument i qartë për atë që pretendon.
[3] Ata njerëz që diskutojnë për Allahun pa dije, pa udhëzim dhe pa libër ndriçues, shtrembërojnë qafën me mendjemadhësi duke u larguar nga e vërteta, me qëllim që të pengojë edhe të tjerët nga hyrja në fenë e Allahut. Këta do të turpërohen e do të poshtërohen në këtë botë, kurse në ditën e Kiametit do ta bëjmë të shijojë dënimin e djegies në Zjarr.
[4] Atje do iu thuhet: “Ky dënim me djegie në zjarrin e Xhehenemit është për shkak të asaj që kanë vepruar duart tuaja prej gjynaheve dhe mëkateve, sepse Allahu nuk është kurrë i padrejtë me robërit e Tij që t’i dënojë pa bërë faj apo gjynah.
[5] Ka disa njerëz që hyjnë në Islam me mëdyshje dhe e adhuron Allahun me mëdyshje, si ai që qëndron në majë të një mali të thepisur nga ku mund të bjerë nga çasti në çast, duke e lidhur besimin me dynjanë; Nëse u vijnë të mira e begati në shëndet e në pasuri, kënaqen me këtë gjë dhe vazhdojnë të adhurojnë Allahun, por nëse u vjen ndonjë sprovë e fatkeqësi, menjëherë e lidh këtë gjë me besimin e tij duke thënë se ky nuk është besim i mirë, dhe kështu kthehet përmbys në mohim duke dalë nga feja e Allahut. Kjo është me të vërtetë humbja më e qartë, sepse me këtë gjë ai humbet dynjanë e tij, pasi që mohimi i tij nuk do i ndryshojë asgjë nga ajo që i është caktuar t’i vijë prej dynjasë dhe pasurisë në këtë botë, dhe humbet gjthashtu botën tjetër sepse do të hyjë në Zjarr.
[6] Në vend të Allahut, këta që janë në mëdyshje lusin dhe adhurojnë gjëra që as nuk mund t’i dëmtojnë nëse nuk i adhurojnë, as nuk mund t’u sjellin ndonjë të mirë nëse i adhurojnë. Kjo është vërtet humbja më e largët nga e vërteta.
[7] Ata lusin gjëra, dëmi i të cilave është më i afërt se dobia e tyre – pasi që për shkak të adhurimit të tyre do të dënohen përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit, dhe gjithashtu do të humbin këtë botë dhe do të poshtërohen në të. Sa mbrojtës të keq dhe sa shok të keq që që kanë dhe që adhurojnë!
[8] Me të vërtetë, ata që e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe qëndrojnë me vendosmëri në këtë besim deri në vdekje, duke vepruar njëkohësisht vepra të mira ashtu si ka urdhëruar Allahu, Allahu do t’i fusë ata në kopshtet e Xhenetit, nën pemët e të cilëve rrjedhin lumenjtë. Pa dyshim, Allahu bën çfarë të dojë: i shpërblen ata që i binden Atij me bujarinë e Tij dhe i dënon ata që e kundërshtojnë Atë me drejtësinë e Tij.
[9] Kush beson se Allahu nuk do ta ndihmojë të Dërguarin e Tij, Muhamedin, në këtë botë me ngritjen e fesë së tij dhe në botën tjetër me ngritjen e gradës së tij dhe dënimin e përgënjeshtruesve të tij, atëherë le të lidhë një litar në tavanin e shtëpisë së vet dhe të varë veten me të, pastaj të shohë nëse kjo gjë do ia largojë zemërimin dhe inatin që ka brenda vetes kundër Muhamedit! – Allahu do e ndihmojë të dërguarin e Tij, Muhamedin, me çdo kusht, duan apo nuk duan mohuesit dhe përgënjestruesit e tij.
-333-
- Po kështu, Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në vargje (prova) të qarta dhe sigurisht që Allahu udhëzon kë të dojë (me to).[1]
- Me të vërtetë, ata që besojnë, hebrenjtë, sabi’inët, të krishterët, mexhusët dhe idhujtarët – Allahu do të gjykojë mes tyre në Ditën e Kiametit. S’ka dyshim se Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.[2]
- A nuk e sheh (di) ti se Allahut i përulen në sexhde të gjithë ata që janë në qiej dhe të gjithë ata që janë në Tokë, si dhe Dielli, Hëna, yjet, malet, pemët, kafshët dhe shumë nga njerëzit? Por shumë të tjerë meritojnë dënimin. E atë që Allahu e poshtëron, askush nuk mund ta nderojë. Me të vërtetë, Allahu bën çfarë të dëshirojë.[3]*
- Këto dy palë kundërshtare janë në kundërshtim me njëra-tjetrën për Zotin e tyre: sa për ata që nuk besojnë, për ta janë prerë rroba prej zjarri, dhe mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar,
- me të cilin do t’u shkrihet çdo gjë në barqet e tyre, së bashku me lëkurat.
- Dhe për ta do të ketë kanxha prej hekuri.
- Sa herë që përpiqen të dalin prej tij (Zjarrit) – nga ankthi – do të detyrohen të kthehen në të (dhe do t’u thuhet): “Shijoni dënimin e djegies!”[4]
- Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, s’ka dyshim se Allahu do t’i futë në kopshte, nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të stolisen me byzylykë prej ari dhe margaritarë dhe ku veshjet e tyre do të jenë prej mëndafshi.[5]
[1] Ashtu si e ngritëm provën Tonë për ringjalljen tuaj o njerëz (në ajetin 5), po kështu e kemi zbritur këtë Kuran për të qenë të gjitha ajetet e tij prova të qarta në shprehjen dhe kuptimin e tyre, dhe sigurisht që Allahu udhëzon në rrugën e drejtë kë të dojë me ajetet dhe provat e Kuranit, sepse nuk ka udhëzues tjetër përveç Tij.
[2] Me të vërtetë, ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), hebrenjtë, sabi’inët (njerëz që kanë qendruar në natyrshmërinë e tyre pa pasur ndonjë fe të posaçme), të krishterët, mexhusët (adhuruesit e zjarrit) dhe ata që i bëjnë shok Allahut me adhurimin e të tjerëve në vend të Allahut apo përkrah Tij – Allahu do të gjykojë mes të gjithë atyre në ditën e Kiametit, duke i futur besimtarët në Xhenet dhe duke i futur të gjithë mohuesit e sekteve të ndryshme në Zjarr. S’ka dyshim se Allahu i ka dëshmuar dhe i ka parë të gjitha veprat e robërve të Tij, dhe i ka ruajtur të regjistruara ato, për t’i dhënë shpërblimin që meriton secilit, sipas veprave që ka bërë në këtë botë.
[3] A nuk e di ti, o Muhamed, se Allahut të Madhëruar i përulen në sexhde me bindje dhe madhërim të gjithë ata që gjenden në qiej prej engjëjve, dhe të gjithë ata që gjenden në Tokë prej krijesave, si dhe Dielli, Hëna, yjet, malet, pemët, kafshët dhe shumë prej njerëzve – të cilët i përulen Allahut në sexhde me zgjedhjen dhe dëshirën e tyre të lindur nga besimi? Por shumë prej njerëzve meritojnë dënimin për shkak të mohimit të tyre që i bëjnë Allahut, dhe ata janë të poshtëruar; e atë që Allahu e poshtëron, nuk mund ta nderojë e lumturojë askush. Allahu bën çfarë të dëshirojë me krijesat e Tij, sipas Urtësisë së Tij absolute; nderon kë të dojë dhe poshtëron kë të dojë, sepse i gjithë krijimi është i Tij dhe e gjithë çështja dhe urdhri i takon vetëm Atij.
* Ky është një nga ajetet që bëhet sexhde kur lexohet.
[4] Këto dy palë kundërshtohen në lidhje me Zotin dhe fenë e tyre: besimtarët dhe mohuesit, ku secila palë thotë se e drejta është me të; sa i përket mohuesve, për ta janë përgatitur rroba prej zjarri, të cilat do i veshin në Xhehenem, dhe të cilat do i pjekin trupat e tyre, dhe mbi kokat e tyre do të derdhet ujë i valuar e përvëlues, i cili do të zbresë në barqet e tyre dhe do të shkrijë gjithçka gjendet në to, dhe do të shkrijë gjithashtu lëkurat e tyre dhe do t’i rrëzojë ato. Engjëjt do t’i godasin ata me kanxha prej hekuri. Sa herë që do të përpiqen të dalin nga Zjarri – për shkak të ankthit dhe tmerrit që heqin – do të kthehen me forcë në të nga engjëjt, të cilët do u thonë: “Shijoni dënimin e Zjarrit djegës e përvëlues!”
[5] Ndërsa palën besimtare, e cila beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, dhe vepron në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, s’ka dyshim se Allahu do ta fusë në kopshtet e përhershme të Xhenetit, nën pemët e të cilëve rrjedhin lumenj, ku ata do të stolisen me byzylykë prej ari dhe me margaritarë, dhe ku veshjet e tyre do të jenë prej mëndafshi, të burrave dhe të grave.
-334-
- Ata janë udhëzuar drejt fjalës së mirë dhe janë udhëzuar në rrugën e të Lavdëruarit (Allahut).[1]
- Me të vërtetë, ata që nuk besojnë dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut dhe nga Xhamia e Shenjtë (e Mekes) – të cilën Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për vizitorin – dhe ata që synojnë të devijojnë duke bërë padrejtësi (mëkat) në të, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.[2]
- Kujto (o Muhamed) kur Ne ia caktuam Ibrahimit vendin e Shtëpisë (së Shenjtë), dhe i thamë: “Mos më shoqëro asgjë në adhurim dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujt) për ata që vijnë rrotull saj dhe për ata që qëndrojnë në këmbë, përkulen në ruku dhe bien në sexhde (gjatë faljes).[3]
- Dhe thirri njerëzit për pelegrinazh (o Ibrahim); e ata do të vijnë tek ti në këmbë dhe kaluar mbi çdo deve të dobët nga çdo rrugë e largët,
- që të dëshmojnë dobitë e rezervuara për ta dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (që therin për kurban) Ai ua ka dhuruar atyre. Pra, hani nga mishi i tyre dhe ushqeni të uriturin e varfër![4]
- Pastaj (haxhinjtë) të pastrojnë trupin e tyre, të përmbushin zotimet e tyre dhe të vijnë rrotull Shtëpisë së Lashtë (Kabes).”[5]
- Këto janë (ritet e shenjta të Allahut), dhe kushdo që i madhëron ritet e shenjta të Allahut, kjo është më e mira për të tek Zoti i tij. Ju janë lejuar të gjitha bagëtitë, përveç atyre që ju janë lexuar tashmë. Pra, largojuni ndotësisë së idhujve dhe largojuni fjalëve të rreme.[6]
[1] Allahu i udhëzoi besimtarët në dynja drejt fjalës së mirë të Njësimit të Allahut – La ilahe il-lAllah – dhe çdo fjale të mirë që madhëron e lavdëron Allahun në këtë botë, kurse në botën tjetër do të udhëzohen në fjalën e mirë të lavdërimit dhe falënderimit të Allahut për përfundimin e mirë që Ai do t’u dhurojë; ashtu si edhe i udhëzoi ata më parë në rrugën e Tij, të Lavdëruarit Absolut, e cila është rruga e lavdëruar e Islamit që të çon në Xhenet.
[2] Me të vërtetë, ata që e mohojnë Allahun dhe e përgënjeshtrojnë Muhamedin dhe atë që i është shpallur atij, si dhe pengojnë të tjerët nga hyrja në fenë e Allahut, dhe ata që penguan të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe besimtarët nga hyrja në Xhaminë e Shenjtë të Mekes në vitin e “Marrëveshjes së Hudejbijes” – Xhami të cilën Allahu e ka bërë të njëjtë për adhurimin dhe madhërimin e Tij për të gjithë njerëzit, si për vendasit edhe për vizitorët që vijnë aty – si dhe ata që synojnë devijimin nga e vërteta me padrejtësi dhe duke i bërë mëkat Allahut në këtë Xhami të Shenjtë të Mekes, Allahu do t’i bëjë të shijojnë dënim të dhembshëm.
[3] Kujto si e kemi themeluar këtë Shtëpi të Shenjtë, Kaben, o Muhamed, në të cilën populli yt po adhuron idhuj në vend që të më adhurojnë vetëm Mua; kujto kur Ne ia treguam dhe ia sqaruam Ibrahimit vendin ku duhet ta rindërtonte Kaben pas humbjes së gjurmëve të saj nga Tufani i Nuhut (alejhis selam), dhe i thamë Ibrahimit: “Mos më shoqëro asgjë në adhurim, por më adhuro vetëm Mua, dhe pastroje Shtëpinë Time (Kaben) nga idhujtaria, mosbesimi dhe papastërtitë, në mënyrë që të jetë e pastër dhe e dashur për besimtarët që do të vijnë rrotull saj për të më adhuruar Mua, dhe që do të qëndrojnë në këmbë, do të përkulen në ruku dhe do të bien në sexhde gjatë faljes së tyre për të më adhuruar Mua.”
[4] Dhe thirri njerëzit për Haxh në Shtëpinë e Shenjtë të Mekes, o Ibrahim, dhe ata do të vijnë tek ti në këtë vend (Meke) për haxh në mënyra të ndryshme sipas mundësisë së secilit, në këmbë apo të kaluar mbi çdo deve të dobët nga ecja dhe puna dhe jo nga shëndeti, dhe do të vijnë nga çdo rrugë e vend i largët, për të dëshmuar dobitë që Allahu ka rezervuar për ta prej faljes së gjynaheve, shpërblimit për kryerjen e riteve të haxhit dhe përgjigjen ndaj thirrjes së Allahut, si dhe fitimet nga tregtia e tyre në këtë vend, si dhe për të përmendur emrin e Allahut mbi kafshët që Allahu ua ka dhuruar dhe të cilat ata i therin për Kurban në ditët e caktuara të Haxhit (10 Dhul Hixhe dhe 3 ditët që vijojnë), si shenjë falënderimi ndaj Allahut për mirësitë e Tij ndaj tyre. Pra, hani nga mishi i kafshëve që therni për Kurban, gjë që është e pëlqyer nga Allahu që ta bëni, si dhe ushqeni me to të varfërit e mjerë që kanë arritur varëfëri të madhe!
[5] Pastaj, haxhinjtë të plotësojnë ritet e tyre të haxhit deri sa të dalin nga Ihrami i tyre, duke pastruar trupin e tyre, duke prerë thonjtë dhe duke qethur flokët e tyre, si dhe të përmbushin zotimet që i kanë dhënë vetes prej Haxhit, Umras dhe Kurbaneve, dhe të bëjnë tavaf rreth Shtëpisë së Lashtë të Allahut, Kabes, Xhamisë së parë që është ndërtuar në Tokë për adhurimin e Allahut nga babai i njerëzimit, Ademi (alejhis selam).”
[6] Këto janë ritet e shenjta që ka urdhëruar Allahu (në haxh), dhe kushdo që i nderon dhe i madhëron ritet e shenjta të Allahut, duke i kryer ato në mënyrën më të plotë dhe më të sinqertë për Allahun, kjo është më e mira për të tek Zoti i tij, në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu jua ka lejuar ngrënien e mishit të të gjitha bagëtive, përveç asaj që ju është lexuar tashmë në këtë Kuran se janë të ndaluara, si e ngordhura, gjaku, derri dhe ato që theren në emër të idhujve – kështu që ato bagëti që idhujtarët arabë para Islamit i konsideronin të ndaluara, nuk janë të tilla tek Allahu. Pra, Largojuni ndotësisë së idhujve (mos adhuroni të ndotën e të ndyrën, që janë idhujt dhe mos ju bindni shejtanit) dhe largojuni fjalëve të rreme dhe shpifjes ndaj Allahut (siç është fjala e idhujtarëve që thonin se Allahu e ka ndaluar mishin e disa kafshëve që ata vetë i caktonin si të shenjta, ndërkohë që Allahu nuk i kishte ndaluar ato, apo se nuk i adhuronin idhujt veçse për t’u afruar tek Allahu, apo se engjëjt janë bija të Allahut, etj).
-335-
- Të jeni të çiltër ndaj Allahut, pa i shoqëruar Atij asgjë (në adhurim), sepse kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), është sikur të bierë nga qielli dhe ta rrëmbejë zogu ose ta hedhë era në një vend të largët.[1]
- Këto janë (urdhrat e Allahut)! Dhe kushdo që i madhëron simbolet e Allahut – kjo është nga devotshmëria e zemrave.[2]
- Ju mund të përfitoni nga ato (kafshët e kurbanit) deri në një kohë të caktuar, pastaj vendi i tyre i flijimit është te Shtëpia e Lashtë (Haremi i Mekes).[3]
- Për çdo popull, Ne caktuam një ritual flijimi (kurbani), që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve që Ai u ka dhënë atyre. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij nënshtrojuni. Dhe jepu lajm të mirë të përulurve (para Allahut, o Muhamed),[4]
- atyre, zemrat e të cilëve dridhen kur përmendet Allahu, që janë të durueshëm për gjithçka që i godet, që falin namazin dhe që japin nga ajo që Ne u kemi dhënë.[5]
- Flijimin e kafshëve të mëdha (devetë dhe lopët) e kemi bërë për ju nga simbolet e (fesë së) Allahut, dhe ju keni shumë të mira në to. Pra, përmendeni emrin e Allahut mbi to, ndërsa janë me këmbë të rreshtuara (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani nga mishi i tyre dhe ushqeni të varfërin që nuk lyp dhe atë që lyp. Në këtë mënyrë Ne ua kemi nënshtruar këto (kafshë), që të jeni mirënjohës.[6]
- Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj. Kështu ua nënshtroi ato (kafshë), që ju ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajm të mirë vepërmirëve![7]
- Me të vërtetë, Allahu i mbron ata që besojnë. Me të vërtetë, Allahu nuk do asnjë tradhtar mosmirënjohës.[8]
[1] Të jeni të çiltër e të sinqertë në adhurimin ndaj Allahut dhe në bindjen ndaj Tij, pa i bërë shok dhe pa i shoqëruar asgjë Atij në adhurim, sepse kushdo që i bën shok Allahut në adhurim, është aq larg të vërtetës dhe udhëzimit të drejtë dhe aq i shkatërruar e humbur, sa do të ishte ai që bie nga qielli dhe e rrëmben shqiponja dhe e ha, ose që e merr stuhia e fortë e erës dhe e hedh në një vend të largët duke e përplasur në Tokë të copëtuar!
[2] Këto janë ato që ka urdhëruar Allahu prej riteve dhe simboleve të fesë së Tij, dhe kushdo që i madhëron dhe i respekton simbolet dhe shenjat e fesë së Allahut, nga të cilat edhe ritet dhe vendet e kryerjes së Haxhit si dhe kurbanet që theren atje, ky madhërim është nga veprat e besimtarëve që kanë zemra të karakterizuara me devotshmëri dhe frikë e dashuri ndaj Allahut, me çiltërsi ndaj Tij dhe adhurimit të Tij.
[3] Ju lejohet të përfitoni nga kafshët e caktuara për kurban, qoftë për t’i hipur apo për t’i ngarkuar, për t’i marrë qumështin apo leshin, pa i dëmtuar ato, deri në afatin e flijimit të tyre për kurban në haremin e Shtëpisë së Shenjtë të Mekes – që përfshin të gjithë haremin e Mekes, ku mund të theren kurbanet.
[4] Çdo populli apo grupi besimtar të mëparshëm, Ne i caktuam ritual kurbani, me qëllim që të përmendnin emrin e Allahut para therjes dhe flijimit të kafshëve që Ai u kishte furnizuar, dhe që të falënderonin Allahun për to. Zoti juaj, o njerëz, që ju duhet të adhuroni është Një Zot i Vetëm, prandaj vetëm Atij nënshtrojuni dhe përuljuni, duke iu bindur urdhrit të Tij dhe të Dërguarit të Tij. Dhe jepu lajm të mirë të përulurve ndaj Meje, o Muhamed, se për ta janë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër,
[5] Të përulurit ndaj Allahut janë ata, zemrat e të cilëve dridhen kur përmendet Allahu, nga frika e dënimit të Tij, duke u ruajtur nga kundështimi apo shkelja e ndonjë urdhri të Tij; dhe të cilët janë të durueshëm kur i godet çfarëdo e keqe apo vështirësi, duke shpresuar shpërblimin e Allahut për durimin e tyre; dhe të cilët e falin rregullisht namazin në mënyrën më të plotë, dhe nga pasuria që u ka dhënë Allahu, ata japin zekatin e detyrueshëm, shpenzojnë për familjen e tyre dhe për ata që janë nën kujdestarinë e tyre, japin në rrugën e Allahut si dhe u japin lëmoshë vullnetare të varfërve.
[6] Ne e kemi bërë për ju flijimin e kafshëve me trup të madh, prej deveve dhe lopëve, si një nga simbolet dhe shenjat e mëdha të fesë së Allahut, me qëllim që ju të afroheni tek Allahu me anë të tyre, dhe për ju ka shumë të mira në to – si ngrënia e mishit të tyre, ushqyerja e të varfërve dhe shpërblimi nga Allahu – prandaj kur t’i therni ato, përmendni emrin e Allahut duke thënë “Bismilah”, ndërsa ato janë të ngritura në këmbë, me tre këmbët të rreshtuara, kurse të katërtën të përthyer (këmbën e majtë të përparme). Kur ato të bien përtokë pas therjes, dhe t’u ketë dalë gjaku, atëherë mishi i tyre është bërë i lejuar për t’u ngrënë, kështu që hani prej tyre duke shpresuar shpërblimin e Allahut, dhe ushqeni të varfërin që nuk lyp për të ruajtur dëlirësinë dhe atë që lyp nga nevoja. Kështu jua ka nënshtruar Allahu devetë dhe kafshë e mëdha, në mënyrë që ju të jeni mirënjohës dhe ta falënderoni Allahun për nënshtrimin e tyre ndaj jush dhe për të gjitha të mirat që ju ka dhënë.
[7] Tek Allahu nuk arrin as mishi i kurbaneve as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria dhe sinqeriteti juaj në kërkimin e pëlqimit të Allahut dhe shpërblimit të Tij me këto flijime e kurbane dhe me veprat tuaja të mira. Kështu jua ka nënshtruar ato kafshë – o besimtarë që kërkoni të afroheni te Allahu – në mënyrë që ju të falënderoni Allahun për atë që ju ka udhëzuar në të vërtetën. Dhe, jepu lajm të mirë vepërmirëve, o Muhamed, atyre të cilët e kryejnë në mënyrën më të mirë adhurimin ndaj Allahut dhe që janë të mirë me njerëzit e krijesat e Allahut, se ata do të kenë çdo të mirë dhe sukses nga Allahu në të dyja botët.
[8] Me të vërtetë, Allahu i mbron besimtarët nga armiqësia e mohuesve dhe kurthet e të ligëve, sepse Ai nuk e do asnjë tradhëtar që ka shkelur premtimin e Zotit të tij, dhe që është mosmirënjohës ndaj mirësive të Zotit të tij.
-336-
- Atyre që sulmohen, u jepet leja (për të luftuar), sepse u është bërë padrejtësi dhe, me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata;[1]
- Ata, të cilët u dëbuan nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos i zmbrapste disa njerëz me anë të të tjerëve, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Me të vërtetë, Allahu do t’i ndihmojë ata që e ndihmojnë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë, i Plotfuqishëm.[2]
- Ata, të cilët, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljen, japin zekatin, urdhërojnë të mirën dhe ndalojnë nga e keqja. Dhe tek Allahu është përfundimi i të gjitha çështjeve.[3]
- Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (o Muhamed), po kështu kanë përgënjeshtruar edhe populli i Nuhut, fiset Ad e Themud,
- populli i Ibrahimit, populli i Lutit,
- dhe banorët e Medjenit. Edhe Musai u përgënjeshtrua. Dhe Unë u dhashë afat mohuesve, pastaj i dënova ata. Eh, si ishte mospajtimi Im (me përgënjeshtrimin e tyre)![4]
- Sa e sa qytete kemi shkatërruar për shkak se (banorët e tyre) ishin të padrejtë dhe tani ato (qytete) janë rrënoja të përmbysura! Dhe sa e sa puse kemi lënë të braktisura e kështjella të fortifikuara (të shkretuara)![5]
- A nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, që zemrat e tyre të arsyetojnë dhe veshët e tyre të dëgjojnë? Në të vërtetë, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat që janë në gjokse.[6]
[1] – Në fillim të Islamit, muslimanët e kishin të ndaluar të luftonin idhujtarët dhe mohuesit, dhe ishin urdhëruar të duronin vuajtjet e shkaktuara prej tyre, deri sa dëmtimi i idhujtarëve arriti kulmin dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) emigroi nga Meka në Medine, dhe kur muslimanët u fuqizuan – Allahu i lejoi muslimanëve që të luftonin në kundërpërgjigje të sulmit të armikut, për shkak të padrejtësisë që u ishte bërë prej tij, dhe sigurisht që Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata të triumfojnë dhe ta poshtërojë e nënshtrojë armikun e tyre.
[2] Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, të cilët u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse u futën në Islam dhe thanë: “Zoti ynë është vetëm Allahu!” Sikur Allahu të mos e kishte lejuar zmbrapsjen e padrejtësisë dhe të kotës me luftë, do të mundej e vërteta në mesin e çdo pupulli dhe do të shkatërrohej vendi me të gjitha faltoret e tij prej manastirëve të murgjërve, kishave të të krishterëve, sinagogave të hebrenjve dhe xhamive të muslimanëve, të cilët falen në ato xhami dhe e përmendin Allahun shumë në to. Padyshim se ata që përpiqen me të gjitha forcat për të ndihmuar fenë e Allahut, Allahu do e ndihmojë atë kundër armikut të tij, dhe Allahu është me të vërtetë i Fortë për të ndihmuar ata që luftojnë e përpiqen në rrugën e Tij, dhe i Plotfuqishëm në pushtetin e Tij absolut, kështu që askush nuk mund ta mundë Atë.
[3] Ata që Ne i kemi premtuar se do i ndihmojmë, janë ata, të cilët, nëse Ne u japim pushtet në Tokë dhe triumf mbi armiqtë e tyre, ata e falin namazin rregullisht, e japin zekatin e pasurisë atyre që u takon, urdhërojnë për çdo të mirë që ka urdhëruar Allahu prej të drejtave të Allahut dhe të drejtave të njerëzve, dhe ndalojnë nga çdo e keqe që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar. Dhe tek Allahu është përfundimi i të gjitha çështjeve, dhe përfundimi i mirë i takon vetëm devotshmërisë ndaj Allahut.
[4] Nëse populli yt të quan gënjeshtar ty, o Muhamed, po kështu kanë bërë para tyrre edhe populli i Nuhut (duke përgënjeshtruar Nuhun), fiset Ad e Themud, populli i Ibrahimit, populli i Lutit dhe banorët e Medjenit (të cilët përgënjeshtruan Shuajbin). Edhe Musai u përgënjeshtrua nga Faraoni dhe populli i tij. Dhe Unë nuk ia përshpejtova dënimin këtyre popujve, por u dhashë afat të plotë, pastaj e dënova secilin prej tyre. Eh, si ishte mospajtimi Im me mohimin dhe përgënjeshtrimin e tyre dhe ndërrimi i së mirës që u kishim dhënë me të keqen dhe dënimin shfarosës që merituan! Po kështu do të bëjmë me ata që të përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, edhe nëse i lëmë deri në një afat të caktuar, kështu që të marrin mësim para se të jetë tepër vonë.
[5] Sa shumë qytete kemi shkatërruar për shkak se banorët e tyre ishin të padrejtë – mohuan Allahun dhe përgënjeshtruan të dërguarit e Tij – dhe tani ato qytete janë kthyer përmbys dhe janë shkretuar nga banorët e tyre, puset e tyre janë braktisur dhe prej tyre nuk nxirret më ujë, si dhe kështjellat e tyre të lata e të fortifikuara nuk i mbrojtën aspak ata nga dënimi Ynë por mbetën të shkretuara.
[6] A nuk kanë udhëtuar idhujtarët kurashit, dhe të tjerët, nëpër Tokë, që të shohin rrënojat dhe gjurmët e popujve të mëparshëm, në mënyrë që të arsyetojnë me zemrat dhe mendjet e tyre dhe të dëgjojnë me veshët e tyre ndodhitë e atyre popujve, që të marrin mësim prej tyre? Në të vërtetë, verbëria nuk është verëbëria syve, por verbëria shkatërruese është verbëria e zemrës nga shikimi i të vërtetës dhe marrja e mësimit.
-337-
- Ata kërkojnë nga ti (o Muhamed) që t’u shpejtohet dënimi, dhe sigurisht që Allahu nuk do ta thyejë premtimin e Vet (për dënimin e tyre), por një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas atyre që numëroni ju.[1]
- Sa e sa qyteteve u dhashë afat, duke qenë se ishin të padrejtë, por pastaj i dënova. Dhe tek Unë është kthimi.[2]
- Thuaj (o Muhamed!): “O njerëz! Unë jam vetëm paralajmërues i qartë për ju.[3]
- Kështu, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë falje dhe furnizim fisnik.[4]
- Ndërsa ata që përpiqen t’i sfidojnë provat Tona, të tillët janë banorët e Zjarrit të ndezur fort.”[5]
- Ne nuk kemi dërguar para teje (o Muhamed) asnjë të dërguar e asnjë profet që djalli të mos i ndërhynte në leximin e tij (nga shpallja). Por Allahu e eliminonte ndërhyrjen e djallit, pastaj i forconte shpalljet e Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[6]
- Kjo, në mënyrë që Ai ta bëjë ndërhyrjen e djallit sprovë për ata që kanë sëmundje (hipokrizie) në zemrat e tyre dhe për ata që i kanë zemrat të ngurtësuara (nga mosbesimi) – vërtet, të padrejtët janë në kundështim të largët (me të vërtetën) –
- dhe në mënyrë që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta dinë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, kështu që ta besojnë atë dhe zemrat e tyre t’i nënshtrohen atij. Me të vërtetë, Allahu i udhëzon besimtarët në rrugën e drejtë.[7]
- Ata që nuk besojnë do të vazhdojnë të dyshojnë në të (Kuran), derisa t’u vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të befasishme ose derisa t’u vijë dënimi i një dite shterpë.[8]
[1] Idhujtarët kurashit, për shkak të injorancës së tyre, të kërkojnë ty, o Muhamed, që t’ua shpejtosh dënimin me të cilin i ke kërcënuar nëse ata vazhdojnë në mohim e idhujtari, dhe sigurisht që Allahu nuk do e thyejë premtimin e Vet për dënimin e tyre, i cili do t’u vijë patjetër, dhe vërtet një pjesë të tij ua shpejtoi në këtë botë, në ditën e luftës së Bedrit, por një ditë tek Allahu është sa një mijë vjet nga vitet e kësaj bote që ju numëroni, kështu që për Allahun është shumë afër dënimi i tyre, edhe pse për ata duket shumë larg, dhe Allahu nuk nxiton në përshpejtimin e dënimit të atyre që do të dënojë deri sa të përmbushet afati i tyre që Ai ka caktuar për ta.
[2] Shumë qyteteve zullumqare, banorët e të cilëve vazhdonin me këmbëngulje në mohim e idhujtari, Unë u dhashë afat që të pendohen dhe nuk ua shpejtova dënimin, por ata u vetëmashtruan, kështu që u zbrita dënimin Tim në këtë botë, dhe sigurisht që kthimi i tyre pas vdekjes dhe zhdukjes nga kjo botë, është vetëm tek Unë, dhe në ditën e Kiametit do i dënoj me dënimin e përjetshëm që meritojnë.
[3] Thuaju idhujtarëve nga populli yt, dhe mbarë njerëzimit, o Muhamed: “O njerëz! Unë nuk jam tjetër veçse një paralajërues i qartë që tranmsetoj mesazhin e Allahut tek ju, dhe që ju paralajmëroj për zbritjen e dënimit të Allahut mbi ju në këtë botë dhe për dënimin e Tij në botën tjetër; pra paralajmërimi im është shumë i qartë. Kurse shpejtimi i dënimit tuaj, që kërkoni nga unë, nuk është në dorën time dhe as në fuqinë time, por është vetëm në Dorë të Allahut…”
[4] Sa për ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe bëjnë vepra të mira, ashtu si ka udhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, për ta do të ketë falje të gjynaheve dhe furnizim fisnik të pashtershëm tek Allahu, në Xhenet.
[5] Ndërsa ata që përpiqen me të gjitha mënyrat të sfidojnë provat dhe argumentet e Allahut, duke penguar njerëzit nga feja e Allahut dhe duke menduar se mund t’i shpëtojnë Allahut dhe dënimit të Tij, të tillët janë banorët e përhershëm të zjarrit të Xhehenemit të ndezur fort.”
[6] Ne nuk kemi dërguar para teje, o Muhamed, asnjë të dërguar apo profet që shejtani të mos i ndërhynte gjatë leximit të shpalljes së Allahut apo gjatë bisedës me njerëzit, me vesvese e dyshime, në mënyrë që të pengonte njerëzit nga pasimi i shpalljes së Allahut që i dërguari lexonte. Por Allahu e eliminonte ndërhyrjen dhe kurthin e shejtanit dhe i zhdukte vesveset e tij, duke i forcuar dhe ngulitur mirë në gojën dhe mendjen e të dërguarit shpalljet e Tij. Sigurisht që Allahu di gjithçka që ndodh në krijimin e Tij dhe Atij nuk i shpëton asgjë, dhe Ai është i Urtë në gjithçka që cakton dhe urdhëron.
[7] Këtë ndërhyrje të shejtanit, Allahu e ka bërë sprovë për ata që kanë sëmundje hipokrizie në zemrat e tyre dhe për ata që i kanë zemrat të ngurtësuara nga mosbesimi dhe idhujtaria, tek të cilët nuk ndikon asnjë lloj paralajmërimi apo mësimi – me të vërtetë, të padrejtët idhujtarë e hipokritë janë në armiqësi të fortë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe janë në kundërshtim të madh me të vërtetën, shumë larg saj – dhe Allahu e ka lejuar këtë ndërhyrje të shejtanit, në mënyrë që ata, të cilëve u është dhënë dituria me anë të cilës bëjnë dallim mes të vërtetës dhe të pavërtetës, ta dinë se ky Kuran është zbritur tek ti, o Muhamed, nga Allahu, dhe për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi, dhe shejtani nuk ka asnjë rrugë që të mund të arrijë tek ai, kështu që atyre besimtarëve u shtohet edhe më shumë besimi me këtë Kuran dhe zemrat e tyre i nënështrohen atij dhe besojnë e pranojnë gjithçka thuhet në të. Me të vërtetë, Allahu i udhëzon ata që e besojnë atë dhe të Dërguarin e Tij në rrugën e drejtë e të qartë të Islamit, e cila i shpëton ata nga humbja dhe nga ngatërresat e kurthet e shejtanit.
[8] Mohuesit përgënjeshtrues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij do të vazhdojnë të dyshojnë në këtë Kuran me të cilin të kemi dërguar, o Muhamed, derisa atyre t’u vijë Kiameti në mënyrë të befasishme, ose derisa t’u vijë dënimi i një dite shterpë, apo i një dite të fundit, në të cilën nuk ka asnjë të mirë për ta, si në ditën e Bedrit, pas së cilës nuk kishte më natë për ata që u vranë atje prej idhujtarëve.
-338-
- I gjithë pushteti atë ditë i përket vetëm Allahut. Ai do të gjykojë mes tyre. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e begatisë,
- ndërsa ata që nuk besuan dhe i përgënjeshtruan provat Tona, do të kenë dënim poshtërues.[1]
- Sa për ata që emigrojnë në rrugën e Allahut, pastaj bien dëshmorë ose vdesin, Allahu do t’u japë atyre furnizim të mirë. S’ka dyshim, Allahu është Furnizuesi më i mirë.[2]
- Ai (Allahu) do t’i fusë ata në një vend, me të cilin do të jenë të kënaqur! Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Durueshëm.[3]
- Kështu është! Dhe kushdo që merr hak në të njëjtën masë që është dëmtuar, pastaj i bëhet përsëri padrejtësi, s’ka dyshim se Allahu do ta ndihmojë atë. Me të vërtetë, Allahu është Shlyes i gjynaheve, Falës.[4]
- Kjo (ndihmë), sepse Allahu e ndërfut natën te dita dhe ditën te nata dhe se Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.[5]
- Kjo (ndihmë), sepse Allahu është i Vërteti, kurse gjithçka që ata adhurojnë përveç Tij, është e pavërteta. Dhe sepse, me të vërtetë, Allahu është i Larti, i Madhi.[6]
- A nuk e sheh ti se Allahu lëshon shi nga qielli, e pastaj toka bëhet e gjelbër?! Me të vërtetë, Allahu është i Mirë, Njohës i gjithçkaje në hollësi.[7]
- Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Me të vërtetë, Allahu është i Vetëmjaftueshmi, i Lavdëruari.[8]
[1] I gjithë pushteti dhe sundimi në ditën e Kiametit i përket vetëm Allahut. Ai do të gjykojë mes besimtarëve dhe mohuesve; sa i përket atyre që besuan Allahun dhe shpalljen e Tij, dhe bënë vepra të mira siç ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ata do të kenë begatinë dhe kënaqësinë e përhershme në kopshtet e Xhenetit, ndërsa ata që e mohuan Allahun, e përgënjeshtuan të Dërguarin e Tij dhe i mohuan provat e Allahut dhe ajetet e Kuranit, ata do të kenë dënim poshtërues dhe përçmues në Xhehenem.
[2] Ata që dalin nga shtëpitë dhe vendi i tyre duke emigruar për Hir të Allahut, në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe në përkrahje të fesë së Tij, pastaj vritet nga mohuesit dhe bie dëshmor, ose i vjen vdekja pa qenë në luftë, patjetër që Allahu do t’u japë atyre furnizim e shpërblim të mirë në kopshtet e përhershme të Xhenetit. S’ka dyshim, Allahu është Furnizuesi dhe Dhuruesi më i mirë ndaj atyre që i binden Atij.
[3] Allahu do t’i fusë emigruesit në rrugën e Tij, qoftë nëse bien dëshmorë apo vdesin natyrshëm, në një vend të cilin do e pëlqejnë shumë dhe do të jenë jashtëzakonisht të kënaqur me të – e ai është Xheneti. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm – dhe e di mirë se kush emigron për Hir të Tij dhe kush emigron në kërkim të kësaj bote -, i Durueshëm dhe i Panxituar me ata që e mohojnë dhe që e kundërshtojnë Atë, kështu që nuk ua shpejton dënimin por i afatizon.
[4] Kështu është në lidhje me ata që emigrojnë për Hir të Allahut, dhe përveç kësaj, Allahu u premton atyre fitoren kundër idhujtarëve që u bëjnë padrejtësi atyre. Atyre që u është bërë padrejtësi, u lejohet të marrin hak në të njëjtën masë që janë dëmtuar, dhe nëse keqbërësi rikthehet dhe i dëmton përsëri, s’ka dyshim se Allahu do ta ndihmojë atë që i bëhet padrejtësi kundër keqbërësit. Me të vërtetë, Allahu është Shlyes i gjynaheve të atyre që pendohen dhe Falës i tyre.
[5] Kjo ndihmë që Allahu u jep besimtarëve që u bëhet padrejtësi është sepse Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë që dëshiron, dhe nga Fuqia e Tij është se Ai e ndërfut natën te dita dhe ditën te nata – d.m.th. orët që pakësohen nga nata ia shton ditës dhe orët që pakësohen nga dita ia shton natës; në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit, gjë që duket qartë në orët e gjata të ditës gjatë verës dhe të natës gjatë dimrit, dhe anasjelltas – dhe sepse Allahu dëgjon çdo gjë dhe çdo lutje të besimtarëve, dhe Ai sheh çdo gjë dhe çdo vepër të besimtarëve, kështu që i përgjigjet lutjes së tyre, dhe sigurisht që sheh edhe çdo vepër të mosbesimtarëve dhe të padrejtëve dhe u jep atë që meritojnë në të dyja botët.
[6] Kjo ndihmë që Allahu u jep besimtarëve është sepse Allahu është i Vërteti dhe i Vetmi Zot që meriton të adhurohet, kurse gjithçka tjetër që idhujtarët adhurojnë përveç Allahut është e pavërteta që nuk ka fuqi apo mundësi që të sjell ndonjë të mirë apo të largojë ndonjë të keqe. Dhe sepse me të vërtetë, Allahu është më i Larti dhe më i Lartësuari, mbi të gjitha krijesat e Tij, me Qënien e Tij të Lartë, Fuqinë dhe Pushtetin e Tij, ashtu si i takon Madhështisë së Tij dhe pa u krahasuar me asgjë prej krijesave të Tij, dhe Ai është i Madhi dhe Madhështori në Qënien e Tij të Lartë dhe në Emrat e Tij të bukur, dhe Ai është më i Madh dhe më i Madhështor se çdo gjë.
[7] A nuk e sheh ti, o Muhamed, se Allahu zbret shi nga qielli, dhe pastaj toka bëhet e gjelbër nga bimët që mbijnë në të pas shiut? A nuk tregon kjo për Fuqinë e Allahut? Me të vërtetë, Allahu është i Mirë, i Butë dhe i Dashur me robërit e Tij me zbritjen e shiut dhe mbirjen e bimëve me ujin e shiut, gjë që është për të mirën e tyre, dhe Ai është Njohës në detaje i gjithçkaje që i nevojitet robërve të Tij dhe i gjithçkaje që ka krijuar.
[8] Allahut të Madhëruar i përket gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë – krijimi, sundimi, robërimi – dhe që të gjithë kanë nevojë për përkujdesjen dhe Bujarinë e Tij. Me të vërtetë, Allahu është i Vetëmjaftueshmi, që nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd nga krijesat e Tij të qiejve apo të Tokës, dhe Ai është i Lavdëruari te robërit e Tij për çdo rast dhe për çdo gjë që u vjen atyre apo që Ai ka krijuar apo që vepron e urdhëron me Urtësinë dhe Madhështinë e Tij absolute.
-339-
- A nuk e sheh ti se Allahu ka nënshtruar për ju (njerëzit) gjithçka që gjendet në Tokë dhe anijet që lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij?! Dhe Ai e mban qiellin që të mos bjerë në Tokë, përveçse me lejen e Tij. Vërtet, Allahu është i Butë dhe i Mëshirshëm me njerëzit.[1]
- Është Ai që ju ka dhënë jetë, pastaj ju bën të vdisni dhe më pas do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.[2]
- Çdo populli Ne i caktuam një kod (jete dhe fetar) që duhet ta zbatonin, prandaj (mohuesit) mos të të kundërshtojnë (o Muhamed) për këtë çështje! Dhe fto te Zoti yt, sepse ti je me të vërtetë në udhëzim të drejtë.[3]
- Nëse ata vazhdojnë të të kundërshtojnë, thuaju: “Allahu e di mirë atë që veproni ju.”[4]
- Allahu do të gjykojë mes jush në Ditën e Kiametit për kundërshtitë, që kishit ndërmjet jush.[5]
- A nuk e di ti se Allahu di çdo gjë që gjendet në qiell e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në një Libër. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun.[6]
- Ata adhurojnë në vend të Allahut gjëra, për të cilat Ai nuk ka zbritur asnjë argument dhe për të cilat nuk kanë asnjë dije. Të padrejtët (idhujtarët) nuk do të kenë asnjë ndihmës.[7]
- Kur atyre iu lexohen ajetet Tona të qarta, e dallon urrejtjen në fytyrat e jobesimtarëve; gati sa nuk i godasin ata që iu lexojnë ajetet Tona. Thuaj: “A t’ju tregoj se çfarë është më e keqe se kjo? – Zjarri (i Xhehenemit), të cilin Allahu ua ka premtuar atyre që mohojnë! Sa vend i keq është ai, në të cilin do të përfundojnë!”[8]
[1] A nuk e sheh ti, o njeri, apo o Muhamed, se Allahu ka nënshtruar për ju, o njerëz, gjithçka që gjendet në Tokë prej kafshëve, bagëtive, arave dhe pemëve, drurëve e gurëve, që të gjitha në shërbimin tuaj dhe për të mirën tuaj. Dhe ka nënshtruar për ju gjithashtu anijet që lundrojnë në det me urdhëin e Tij, duke ju transportuar ju dhe mallërat tuaj në çdo vend që të doni. Është po Ai që e mban qiellin që të mos bierë mbi Tokë dhe të shkatërrojë gjithçka gjendet në të, përveç nëse Ai lejon diçka të tillë kur të dojë e ku të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Butë dhe i Mëshirshëm me njerëzit në nënshtrimin që i ka bërë këtyre gjërave për ta, me mirësinë dhe bujarinë e Tij.
[2] Allahu është Ai që ju ka dhënë jetë duke ju krijuar nga asgjëja, pastaj ju bën të vdisni në kohën e mbarimit të jetës suaj në tokë, dhe më pas do t’ju ringjallë në ditën e Kiametit për të dhënë llogari për ato që keni vepruar në këtë botë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut dhe mohues i provave të qarta që tregojnë Fuqinë e Allahut dhe se Ai është Një e i Pashoq.
[3] Çdo populli që ka qenë para jush, o Muhamed, Ne i caktuam një kod jete dhe ritesh fetare që ata duhet të zbatonin, kështu që idhujtarët kurashit mos të të kundërshtojnë në kodin tënd të jetës dhe të fesë, duke përfshirë ritet e therjes së kurbaneve gjatë Haxhit dhe ngrënien e mishit të tyre, ndërkohë që idhujtarët i kundërshtonin besimtarët përse e hanin mishin e kurbaneve që i thernin vetë, ndërsa kafshët e ngordhura, të cilat i ka vrarë Allahu sipas tyre, nuk e hani mishin e tyre?! Por ti, o Muhamed, ftoi ata idhutjarë dhe të gjithë njerëzit tek Zoti yt dhe te zbatimi i urdhrit dhe fesë së Tij, si dhe te therja e kurbaneve vetëm për Hir të Allahut dhe jo për idhujt e shejtanin! Sigurisht që ti, o Muhamed, je në udhëzimin dhe fenë e drejtë të Allahut, dhe ti je në të vërtetën, ndërsa ata janë në të kotën dhe të pavërtetën.
[4] Nëse idhujtarët vazhdojnë të të kundërshtojnë ty, o Muhamed, me fjalë të kota e të pavërteta, në lidhje me çështjet e fesë, atëherë ti mos u grind me ta, por thuaju: “Allahu e di mirë atë që veproni ju prej mohimit dhe përgënjeshtrimit të të Dërguarit të Tij, dhe sigurisht që do t’ju marrë në llogari për këtë dhe do t’ju japë dënimin që meritoni.
[5] Allahu do të gjykojë mes besimtarëve dhe mohuesve në Ditën e Kiametit, në lidhje me kundërshtitë fetare që kishin mes tyre, dhe atëherë do ta mësoni mirë, o mohues, se cila nga dy palët tona ka të drejtë dhe cila është e humbur.
[6] A nuk e di ti, o Muhamed, dhe ti, o njeri, se Allahu di çdo gjë që gjendet në qiell e në Tokë, me dijeni të plotë e të hollësishme, që para se të krijonte krijimin e deri në ditën e Kiametit, dhe këtë gjë e ka regjistruar në Librin që është tek Ai, el Leuhul Mahfudh (Pllaka e Ruajtur). Ky regjistrim dhe shëndim dhe kjo dije është shumë e lehtë për Allahun, të Cilin nuk mund ta sfidojë asgjë.
[7] Idhujtarët vazhdojnë të adhurojnë të tjerë përveç Allahut, megjithëse e kanë parë qartë se janë krejtësisht të gabuar, dhe ata adhurojnë idhuj për të cilët Allahut nuk ka zbritur asnjë argument në asnjë prej Librave të Tij, ku të thuhet se idhujt mund të adhurohen, dhe ata nuk kanë asnjë lloj dije për këtë që kanë trilluar ndaj Allahut, por thjesht kanë ndjekur gjurmët e të parëve të tyre në mënyrë të verbër dhe pa asnjë argument. Idhujtarët nuk do të kenë askënd që t’i ndihmojë apo t’i mbrojë nga dënimi kur të vijë koha e llogarisë në botën tjetër.
[8] Kur idhujtarëve iu lexohen ajetet e qarta të Kuranit, e dallon urejtjen në fytyrat e tyre; gati sa nuk i godasin besimtarët që iu lexojnë atyre ajetet e Kuranit dhe që i ftojnë ata në fenë e Allahut. Thuaju atyre, o Muhamed: “A t’ju tregoj se çfarë është ajo që do të urreni edhe më shumë se dëgjimi i ajeteve të Kuranit dhe shikimi i besimtarëve që jua lexojnë ato? – Zjarri i Xhehenemit, të cilin Allahu e ka përgatitur për mohuesit e Tij dhe përgënjeshtruesit e të Dërguarit të Tij në botën tjetër. Sa vend i keq është ai në të cilin do të përfundojnë.”
-340-
- O njerëz! Është sjellë një shembull, prandaj dëgjojeni me kujdes: “Ato që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. Madje, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk mund t’ia marrin më asaj. I dobët është edhe kërkuesi (idhujt) edhe e kërkuara (miza).”[1]
- Ata (idhujtarët) nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu siç i takon Atij. Vërtet, Allahu është i Fortë, i Plotfuqishëm.[2]
- Allahu zgjedh të dërguar si nga engjëjt ashtu dhe nga njerëzit. Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.[3]
- Ai e di çfarë ka para tyre dhe çfarë ka pas tyre, dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.[4]
- O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (gjatë faljes), adhuroni Zotin tuaj dhe veproni të mirën, që të mund t’ia dilni mbanë![5]*
- Luftoni në rrugën e Allahut ashtu siç i takon. Është Ai që ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë vështirësi në fe – fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai (Allahu) ju ka quajtur juve muslimanë më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), në mënyrë që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Pra, faleni namazin, jepni zekatin dhe drejtohuni vetëm tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës i mrekullueshëm dhe sa Ndihmës i mrekullueshëm është Ai![6]
[1] O njerëz! Zoti po ju sjell një shembull, prandaj dëgjojeni me kujdes që të merrni mësim: “Idhujt e zotat që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë nga asgjëja as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë së bashku për këtë gjë, kështu që si mund të krijojnë diçka më të madhe se miza?! Madje, nëse miza u merr atyre idhujve tuaj ndonjë gjë, ata nuk mund t’ia marrin më asaj, kështu që a ka paaftësi më të madhe se kjo e idhujve tuaj?! Pra, që të dy ata janë të dobët: edhe idhujt tuaj që supozohej të kërkojnë nga miza atë që u ka marrë, po ashtu edhe miza që kërkohet prej tyre! – Atëherë, si mund t’i merrni për zota e të adhuroni këto idhuj që janë kaq të poshtëruar dhe të pavlerë?!”
[2] Idhujtarët nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij, përndryshe nuk do të adhuronin idhujt. Me të vërtetë, Allahu është i Forti, i Cili ka krijuar dhe krijon çfarë të dojë me fuqinë e Tij, dhe i Plotfuqishmi, i Cili nuk mundet kurrë nga asgjë. – Dhe nuk është si zotat e idhujt që ju adhuroni, të cilët nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, dhe madje as të ruhen nga miza se mos i merr ndonjë gjë aq të vogël e të pavlerë, atëherë si mund t’ju ruajnë ju nga gjëra më të mëdha?!
[3] Allahu i Madhëruar zgjedh prej engjëve të dërguar që i dërgon tek profetët e Tij, dhe po ashtu zgjedh prej njerëzve të dërguar që i dërgon tek njerëzit për të komunikuar shpalljet e Tij. Me të vërtetë, Allahu i dëgjon të gjitha fjalët e robërve të Tij dhe ato që të thonë ty idhujtarët [o Muhamed; kur thanë: “Përse t’i shpallet pikërisht atij nga mesi ynë!” Sad, 8], dhe Ai i sheh të gjitha gjërat dhe e di mirë se kë zgjedh për të qenë i dërguari i Tij tek njerëzit.
[4] Allahu e di çfarë ka pasur para engjëjve dhe të dërguarve të Tij që para se t’i krijonte ata, dhe Ai e di çfarë do të ketë pas tyre, kur ata të mos jenë më në këtë botë, dhe vetëm tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet për gjykim në botën tjetër, ashtu siç filluan të gjitha nga Ai.
[5] O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin! Përkuluni në ruku dhe bini në sexhde para Allahut gjatë namazit tuaj, adhuroni vetëm Zotin tuaj dhe veproni vetëm atë që është e mirë siç ka urdhëruar Zoti juaj, në mënyrë që t’ia dilni mbanë dhe të shpëtoni e të arrini atë që kërkoni nga Zoti juaj në të dyja botët. * Ky është një nga ajete e sexhdes, pra që duhet të bëhet sexhde kur lexohet.
[6] Dhe luftoni në Rrugën e Allahut ashtu si i takon, o besimtarë, për të ngritur dhe zbatuar fenë e Tij, me veten tuaj, fjalën tuaj, pasurinë tuaj, dijen tuaj – me qëllimin e pastër dhe të sinqertë vetëm për Hir të Allahut. Është Allahu që ju ka zgjedhur pikërisht juve për të mbartur këtë fe, dhe ju ka dhënë mirësi duke mos ju vënë asnjë vështirësi në rregullat e fesë, por ju ka dhënë zgjidhje dhe lehtësim për çdo gjëndje që të jeni – dhe kjo është edhe feja e babait tuaj, Ibrahimit. Allahu ju ka quajtur juve muslimanë edhe në Librat që ka zbritur më parë edhe në këtë Kuran, dhe ju ka veçuar me këtë zgjedhje, në mënyrë që vula e profetëve, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të jetë dëshmitar mbi ju se ai jua komunikoi mesazhin e Zotit të tij, dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi popujt e tjerë, se të dërguarit e tyre ia komunikuan mesazhin dhe shpalljen e Zotit popujve të tyre tek të cilët ishin dërguar, ashtu siç ju ka treguar Allahu në këtë Kuran. Pra, duhet ta kuptoni rëndësinë dhe vlerën e kësaj mirësie me të cilën Allahu ju ka veçuar, në mënyrë që të falënderoni Allahun shumë dhe të jeni mirënjohës ndaj Tij, të ruani dhe të zbatoni shtyllat e fesë së Allahut me faljen e namazit dhe dhënien e zekatit, duke iu drejtuar për ndihmë dhe duke iu mbështetur vetëm Allahut, sepse vetëm Allahu është Mbrojtësi dhe Miku juaj. Sa Mbrojtës i mrekullueshëm që është Allahu për ata që kërkojnë mbrojtjen e Tij, dhe sa Ndihmës i mrekullueshëm që është Ai për ata që kërkojnë ndihmën e Tij!