SURJA “EL FATIHA” – HAPJA

Xhuzi[1] 1

Surja[2] 1, El Fatiha[3], Mekase[4], 7 ajete[5]

  1. Me emrin e Allahut[6], të Gjithëmëshirshmit[7], Mëshirëplotit[8]!
  2. I gjithë lavdërimi i përket Allahut, Zotit[9] të të gjitha botëve[10],
  3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,
  4. Sunduesit të ditës së llogarisë.[11]
  5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë e mbështetje[12].
  6. Na udhëzo në rrugën e drejtë[13]!
  7. Në rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar mirësi[14], jo të atyre që kanë merituar zemërimin (Tënd)[15] dhe as të atyre të cilët kanë humbur[16]!

[1] Xhuz do të thotë pjesë. Kurani është i ndarë në 30 xhuze.

[2] Sure do të thotë ndarje apo kapitull, dhe me këtë emër quhen vetëm suret e Kuranit. Kurani ka 114 sure.

[3] El Fatiha do të thotë: Hapja. Kjo sure është quajtur me këtë emër për shkak se Kurani hapet me të dhe me të fillohet leximi nga Kurani në namaz. Kjo sure është quajtur edhe me emra të tjerë, siç ka ardhur në hadith të saktë të transmetuar nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ajo (Fatihaja) është Nëna e Kuranit, Hapja e Librit dhe Shtatë të përsëriturat  (ajetet)” [Hadith i saktë. “Es Sahiha” 1183. E ka nxjerrë Darakutni 118, Bejhakiu 2/45].

[4] Mekase do të thotë që ka zbritur në Meke para emigrimit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine, ndërsa suret që kanë zbritur pas emigrimit janë quajtur sure Medinase.

[5] Ajet do të thotë shenjë. Ajetet janë quajtur kështu për shkak se ato janë shenja dalluese për ndarjen e një fjale, fjalie apo paragrafi nga një tjetër. Ose sepse ato janë si shenjat udhëzuese në rrugë.

[6] D.m.th. Filloj leximin me Emrin e Allahut. Kështu e ka mësuar Allahu të Dërguarin e Tij dhe të gjithë besimtarët, që para se të fillojnë çdo vepër apo thënie, ta fillojnë atë me Emrin e Allahut (Bismilah).

“Allah” është emër i përveçëm nga emrat e Zotit që do të thotë: i hyjnizuar dhe i adhuruar nga të gjitha krijesat.

[7] Mëshirues i të gjitha krijesave në këtë botë dhe në botën tjetër.

[8] Mëshirues i besimtarëve posaçërisht, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[9] Krijuesi, Rregulluesi, Zotëruesi i Pashoq dhe i Pashembullt. Kjo është domethënia e fjalës “Rabb”.

[10] Prej njerëzve dhe xhinëve, brez pas brezi, si dhe të gjitha krijesave në të gjitha kohërat.

[11] Askush tjetër nuk zotëron asnjë gjykim dhe asgjë atë ditë, ditën e llogarisë dhe shpërblimit për veprat e bëra në këtë botë, ditën e gjykimit.

[12] Në adhurimin tonë për Ty dhe në të gjitha çështjet tona, dhe nuk i mbështetemi askujt tjetër.

[13] Dhe na mundëso qëndrueshmërinë në të. Udhëzimi është dy llojesh: 1. Udhëzim për të gjetur rrugën e drejtë, e cila është është Islami, feja e Allahut në të cilën nuk ka kthesë as shtrembërim, dhe 2. Udhëzim në rrugën e drejtë, d.m.th. në sunetin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe në njohjen e hollësive të fesë dhe praktimin e tyre. [Es Seadi].

[14] Të binden dhe të adhurojnë vetëm Ty. E ata janë: engjëjt, pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe vepërmirët. [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[15] Ata janë çifutët, të cilët e dinë të vërtetën dhe veprojnë të kundërtën e saj.

[16] Ata janë të krishterët, të cilët nuk janë udhëzuar tek e vërteta por veprojnë pa dije.