KURANI FISNIK – PERKTHIM DHE KOMENTIM NE GJUHEN SHQIPE
DR. BLEDAR KARAJ EL ALBANI
Parathënie
Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut, Shpallësit të Librit të Qartë, nëpërmjet robit dhe të Dërguarit të Tij më të veçantë, për të qënë mëshirë dhe udhëzim, përgëzim dhe paralamërim, për dy krijesat e krijuara për një qëllim të rëndësishëm dhe një synim të lartë: njerëzit dhe xhinët!
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi vulën e profetëve, Muhamedin, birin e Abdullahut, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij dhe ata qe ndjekin rrugën e tij, deri në Ditën e Kiametit!
Ky është një përkthim i ri me komentim i Kuranit në gjuhën shqipe, i cili nuk është i pari, por shpresojmë nga Allahu i Madhëruar që të jetë i qëlluar, i saktë, i lehtë për t’u kuptuar dhe i dobishëm për të përfituar prej tij, si për ata që e lexojnë Kuranin për herë të parë, ashtu edhe për ata që janë thelluar në shkencat Islame! Allahu është dhuruesi i suksesit dhe i Plotfuqishëm për gjithçka!
Metoda e ndjekur në këtë përkthim është si më poshtë:
- Kemi bërë krahasime ndërmjet shumicës së versioneve të përkthyera deri më tani, siç është përkthimi i H. Sherif Ahmetit; përkthimi i Prof. Hasan Nahit botuar nga “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam” 2006; përkthimi i Feti Mehdiut; dhe përkthimi i “Darus Selam”.
 - Jemi kthyer tek librat nënë të tefsirit të Kuranit, si Tefsiri i Taberiut, i Kurtubiut, Ibën Kethirit. Po ashtu në tefsirin e dijetarit Abdurrahman es Seadi (Allahu e mëshirfotë!), i cili e ka përfunduar tefsirin e tij në vitin 1344 H; në tefsirin e dijetarit Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshirfotë!); si dhe në “Et Tefsir el Mujesser” të një grupi dijetarësh bashkëkohorë, nga “Kompleksi i Mbretit Fehd për Shtypjen e Kuranit Famëlartë” në El Medineh el Muneuerah.
 - Kemi përdorur fjalorë të ndryshëm të gjuhës arabe, angleze dhe shqipe, për vendosjen e fjalës më të saktë dhe më të qëlluar në vendin e duhur.
 - Në rastet kur hasim në ndonjë problem apo kur ka më shumë se një mendim për domethënien apo komentimin e një fjale apo ajeti të caktuar, kthehemi zakonisht te tefsiri i Seadit, i Ibën Uthejminit, dhe Et Tefsir el Mujesser, për shkak se këta konsiderohen dijetarë bashkëkohorë dhe tefsirët e tyre janë më përmbledhës, më të qartë në gjuhë dhe kanë zgjedhur në to mendimet më të sakta të selefëve dhe në përputhje me akiden e selefëve.
 - Përkthimi është i shoqëruar me komentim të shkurtër dhe përmbledhës, dhe në shumicën e rasteve është treguar vetëm domethënia dominuese tek dijetarët e tefsirit në lidhje me një ajet apo fjalë të caktuar. Të gjitha këto i kemi vendosur në shënimet poshtë faqes, dhe ndonjëherë kemi shënuar në kllapa titullin e librit nga është marrë ai komentim. Ndërsa në rastet kur nuk është shënuar burimi, duhet të dihet se ai është përfituar nga tefsiret e sipërpëmendura, pa dalur asnjë herë prej tyre.
 
Lusim Allahun që kjo vepër t’u vijë në ndihmë dhe t’u bëjë dobi atyre që duan ta kuptojnë sa më mirë dhe saktë Librin e Allahut dhe Shpalljen e Tij!
Suksesi vjen vetëm nga Allahu dhe të gjitha çështjet fillojnë nga Ai dhe kthehen tek Ai, dhe shpërblimi i Tij është, padyshim, më bujari!
Dr. Bledar Karaj el Albani
E Hënë, 03 Nëntor 2025 / 12 Xhumada el Ula, 1447 AH
SHKARKO NE FORMAT PDF:

									





























