SURJA EL ENFAL – PRETË E LUFTËS
(Surja Nr. 8, Medinase, 75 Ajete)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- Të pyesin ty (O Muhamed) për prenë e luftës.[1] Thuaj: “Preja e luftës i përket Allahut dhe të Dërguarit.[2] Prandaj, kini frikë Allahun,[3] rregulloni marrëdhëniet midis jush[4] dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë.”[5]
- Besimtarët e vërtetë janë vetëm ata të cilët, kur përmendet Allahu, zemrat iu fërgëllojnë[6] dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi;[7] dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten[8] –
- Janë ata që falin namazin[9] dhe nga ajo që i kemi furnizuar, ata shpenzojnë.[10]
- Këta janë besimtarët e vërtetë.[11] Ata do të kenë gradë të larta te Zoti i tyre,[12] falje dhe furnizim bujar.[13]
- Ashtu si Zoti yt të nxori nga shtëpia jote me të Vërtetën (për betejën e Bedrit),[14] edhe pse në të vërtetë, një grup prej besimtarëve ishin ngurrues.[15]
- Ata polemizojnë me ty për të vërtetën, pasi u ishte bërë e qartë,[16] sikur të ishin duke u çuar drejt vdekjes dhe ta shihnin atë.[17]
- (Kujtoni, o besimtarë!) Kur Allahu ju premtoi njërin prej dy grupeve – se do të ishte i juaji[18] – dhe ju dëshironit që ai i paarmatosuri të ishte i juaji,[19] por Allahu dëshironte të përmbushte të vërtetën me Fjalët e Tij[20] dhe t’ua zhdukte rrënjët mohuesve;[21]
- Që ta përmbushte të Vërtetën[22] dhe ta çrrënjoste të pavërtetën,[23] edhe pse keqbërësit e urrejnë këtë.[24]
[1] Të pyesin shokët, o Muhamed, për prenë e luftës që e zutë në luftën e Bedrit, se kujt i përket ajo dhe si ndahet?
[2] Ndarja e presë së luftës i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe askujt nuk i lejohet të kundërshtojë gjykimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, por thjesht duhet ta pranojnë dhe të jenë të kënaqur me të.
[3] Dhe lërjani Allahut dhe të Dërguarit të Tij çështjen e ndarjes së presë së luftës, dhe mos kundërshtoni.
[4] Duke larguar urrejtjen, përçarjen, sjelljen e vrazhdë dhe këputjen e lidhjeve me njëri-tjetrin.
[5] Sepse besimi të shtyn në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe e kundërta është e saktë, pra ai që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk është besimtar. Në raport me plotësimin apo mangësinë në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lëviz edhe besimi i personit me shtim apo pakësim të tij. Pra, besimi ndahet në dy lloje: I pari është besimi i plotë, me arritjen e të cilit, besimtari arrin lavdërimin nga Allahu dhe fitoren e plotë; kurse lloj i dytë është besimi i mangët dhe i cunguar, me të cilin nuk shpëton nga dhënia e llogarisë në botën tjetër. Allahu lavdëron në Kuran vetëm besimtarët me besim të plotë, siç e sqarojnë edhe ajetet në vijim.
[6] Zemrat e tyre dridhen nga frika dhe madhërimi, kështu që i binden urdhrave të Allahut dhe e përmendin Atë vazhdimisht. Shenja më e madhe e frikës ndaj Allahut dhe devotshmërisë ndaj Tij, është pikërisht ruajtja nga gjynahet.
[7] Kur i dëgjojnë me vëmendje ajetet e Kuranit dhe përqendrohen në domethënien e tyre, kjo gjë u shton besimtarëve besimin, sepse me meditim atyre iu zbulohen kuptime të reja që nuk i kanë kuptuar më parë nga ajetet e Kuranit, dhe meditimi është nga punët e zemrës; dhe kjo gjë i shtyn ata në punë të tjera të mira dhe në kërkim të shpërblimit të Tij bujar, si dhe i bën të largohen nga gjynahet dhe mëkatet; dhe që të gjitha këto e shtojnë dhe e forcojnë besimin.
[8] I mbështeten vetëm Allahut për arritjen e të mirave dhe të dobishmeve për ta, si dhe për largimin e të këqiave dhe gjërave që i dëmtojnë ata, qoftë të kësaj bote apo të botës tjetër; dhe janë të bindur se Allahu do i bëjë këto për ta.
[9] Besimtarët e vërtetë janë ata që falin namazin e detyruar dhe vullnetar, në mënyrën më të plotë dhe më të saktë, siç ka mësuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[10] Shpenzojnë për detyrimet që kanë, si shpenzimi për familjen, shpenzimi për zekatin e detyrueshëm dhe për lëmoshat vullnetare.
[11] Ata që kanë cilësitë e përmendura më sipër janë besimtarët e vërtetë, të cilët Allahu i lavdëron në Librin e Tij, dhe jo ata që e thonë vetem me gojët e tyre se janë besimtarë, por zemrat e tyre janë të mbushura me hipokrizi, dhe ata nuk e vërtetojnë besimin në veprat dhe sjelljet e tyre, qoftë në bindjen ndaj Allahut apo në lidhjen me njerëzit dhe shoqërinë.
[12] Secili sipas veprës së vet në dynja.
[13] Falje të gjynaheve dhe furnizim bujar të cilin Allahu e ka përgatitur për ta në xhenet; diçka që nuk e ka parë asnjë sy, nuk e ka dëgjuar asnjë vesh dhe nuk mund ta imagjinojë askush.
[14] Ashtu siç është i vërtetë besimi i besimtarëve të vërtetë, po ashtu, nxjerrja që Allahu i bëri të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) nga shtëpia e tij në Medine, për të luftuar idhujtarët kurashit në Bedër, ishte gjithashtu e vërtetë dhe e caktuar nga Allahu.
[15] Nuk ishin përgatitur për luftë dhe nuk e dinin që do të ndodhte luftë, kështu që ngurruan dhe polemizuan me të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem), para luftës. Kjo, sepse lufta e Bedrit ndodhi papritur dhe synimi nuk ishte lufta por karvani i kurejshëve, i drejtuar nga Ebu Sufjani, që kthehej nga Levanti me pasuritë e tregtarëve kurashit, ku një pjesë e madhe i përkiste besimtarëve që kishin emigruar nga Meka në Medine; pra, synimi ishte të merrej plaçka e karvanit, dhe jo lufta; por kurejshët e mësuan për sulmin e mundshëm të karvanit nga Muhamedi dhe shokët e tij, kështu që dërguan shpejt një ushtri për mbrojtjen e karvanit dhe për luftimin e muslimanëve; atëherë u bë e qartë që lufta ishte e pashmangshme për besimtarët, dhe Allahu i dha atyre fitoren, megjithëse numri i ushtrisë armike (rreth 1000) ishte sa trefishi i numrit të besimtarëve (rreth 300) që kishin dalë në Bedër.
[16] Polemizojnë me ty, o Muhamed, për urdhrin që të ka dhënë Allahu për luftimin e idhujtarëve në Bedër, pasi iu bë e qartë se ti nuk vepron veçse atë që të urdhëron Allahu, dhe Allahu nuk urdhëron veçse të vërtetën dhe të mirën.
[17] Nga ngurrimi për t’u hedhur në luftë kundër armikut.
[18] Ju premtoi fitoren mbi njërin prej dy grupeve për çdo rast: qoftë nëse do të sulmonit grupin e paarmatosur të karvanit që udhëhiqej nga Ebu Sufjani, apo grupin e armatosur të ushtrisë kurashite që u nisën në mbrojtje të karvanit.
[19] Dëshironit të merrnit më të lehtën: prenë e grupit të paarmatosur.
[20] Allahu dëshironte të vërtetonte Islamin dhe ta ngrinte atë me urdhrin që i dha të Dërguarit të Tij për luftimin e idhujtarëve dhe mohuesve kurashit, edhe pse disa prej besimtarëve që kishin dalë me të dëshironin prenë e lehtë dhe pasurinë; por ajo që dëshironte Allahu ishte shumë herë më e madhe, më e lartë, më fisnike dhe shumë herë më e dobishme për besimtarët se sa preja e karvanit që ata zgjidhnin.
[21] T’i zhdukte nga rrënjët kokat udhëheqëse dhe kryeneçe të mohuesve të Njësimit të Allahut dhe adhuruesve të idhujve.
[22] Që të triumfonte Islami dhe të adhurohej vetëm Allahu.
[23] Idhujtarinë, mosbesimin, kryeneçësinë dhe adhurimin e pasimin e djallit.
[24] Ata mohues dhe idhujtarë që bëjnë krim ndaj Allahut me shkeljen e urdhrave të Tij dhe mosbindjen ndaj Tij; dhe ndaj njerëzve, me padrejtësi të ndryshme dhe mendjemadhësi ndaj tyre; si dhe ndaj vetvetes, me ndëshkimin e saj në këtë botë dhe në botën tjetër për shkak të veprave të vetë atyre.
-177-
- (Kujtoni) Kur kërkuat ndihmë nga Zoti juaj,[1] dhe Ai ju përgjigj:[2] “Unë do t’ju përforcoj me një mijë engjëj, njëri pas tjetrit.”[3]
- Allahu e bëri këtë vetëm për të qenë lajm i mirë,[4] që zemrat tuaja të qetësohen me të, përndryshe, fitorja vjen vetëm nga Allahu.[5] Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[6]
- Ai ju kaploi me dremitjen që ishte siguri prej Tij,[7] dhe ju zbriti nga qielli shi, për t’ju pastruar me të,[8] për të larguar nga ju ngacmimin e djallit,[9] për t’ju forcuar zemrat dhe për t’ju bërë të qëndrueshme këmbët.[10]
- (Kujto, o Muhamed) Kur Zoti yt i frymëzoi engjëjve: “Unë jam me ju,[11] prandaj forcojini ata që besojnë.[12] Unë do të fus tmerrin[13] në zemrat e atyre që nuk besojnë, prandaj goditini ata mbi qafë dhe godisni çdo nyje të gjymtyrëve të tyre!”[14]
- Kjo,[15] sepse ata kundërshtuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij.[16] Dhe kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij – me të vërtetë Allahu është i ashpër në ndëshkim.[17]
- “Ky është ndëshkimi juaj,[18] prandaj shijojeni atë.” Dhe vërtet, për mohuesit do të jetë edhe dënimi i zjarrit.[19]
- O besimtarë! Kur të përballeni me jobesimtarët në betejë, mos ua ktheni shpinën![20]
- Kushdo që ua kthen shpinën atyre në një ditë të tillë,[21] përveç atij që zhvendoset (si strategji) për luftë ose për t’iu bashkuar një grupi tjetër,[22] do të kthehet me zemërim nga Allahu[23] dhe streha e tij do të jetë Xhehenemi – sa përfundim i keq!
[1] I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe besimtarët që ishin me të, iu lutën dhe i kërkuan ndihmë Allahut kundër armikut që ishte i madh në numër dhe i armatosur rëndë, ndryshe nga besimtarët, që ishin pak në numër dhe me armatim të lehtë, sepse nuk ishin përgatitur për luftë.
[2] Allahu iu përgjigj lutjes suaj, dhe ju ndihmoi me disa gjëra të rëndësishme, të cilat numërohen në vijim.
[3] Që të luftojnë përkrah jush, dhe jo vetëm.
[4] Allahu i zbriti engjëjt për tju gëzuar dhe për tju dhënë kurajë, dhe jo se do të fitoni për shkak të numrit të madh dhe mjeteve luftarake, por sepse Allahu do jua japë fitoren.
[5] Vetëm Allahu jua jep fitoren kundër armikut tuaj, o besimtarë, sepse fitorja është vetëm në dorë të Allahut dhe Ai ia jep atë kujt të dojë nga krijesat e Tij.
[6] Allahu është i Plotfuqishëm dhe nuk mund ta mposhtë asgjë; dhe është i Urtë në planin e Tij dhe në dhënien e fitores apo humbjes atyre që e meritojnë nga krijesat e Tij.
[7] Siguri nga Allahu që armiku juaj nuk do ju mposhtë në këtë betejë; dremitja dhe përgjumja para fillimit të betejës është gjithnjë siguri nga Allahu kundër armikut.
[8] Allahu zbriti shi për besimtarët në ditën e luftës së Bedrit, që të pastroheshin për kryerjen e namazit.
[9] I cili i ngacmoi dhe i futi mërzitje dhe frikë atyre kur u zgjuan në mëngjes dhe nuk kishin ujë që të mund të pastroheshin për t’u falur dhe për të qenë të pastër gjatë betejës.
[10] Mbi rërën e shkretëtirës që e lagu shiu; të gjitha këto për t’i përgatitur moralisht dhe fizikisht për luftën e tyre të parë kundër armiqve të tyre.
[11] Me ndihmën, përkrahjen dhe triumfin.
[12] I jepni kurajo dhe i kujtoni shpërblimin e Allahut për ata që luftojnë në rrugë të Tij për të ngritur Fenë e Tij.
[13] I cili është arma juaj më e madhe kundër armikut.
[14] I godisni armiqtë mbi qafë ose në kokë, dhe i godisni në çdo nyjë e majë gishtash të duarve apo të këmbëve; Fjala i drejtohet engjëjve për të treguar se ata luftuan në mënyrë direkte në luftën e Bedrit, por duke goditur pas qafe dhe në nyjet e gjymtyrëve me qëllim të dobësimit dhe tmerrimit të armiqve, që besimtarët ta kishin të lehtë vrasjen e tyre dhe ata të dorëzoheshin ose t’ia mbathnin nga lufta të tmerruar. Thuhet gjithashtu se fjala mund t’i drejtohet besimtarëve për t’i treguar atyre se si të luftojnë dhe ku t’i godasin armiqtë në mënyrë të pamëshrishme, për shkakun se ata luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
[15] Ky ndëshkim i ashpër.
[16] Dhe iu bindën djallit.
[17] Në këtë botë dhe në botën tjetër; Ndëshkimi në këtë botë është me vdekje të dhembshme dhe poshtëruese, si ndëshkimet e popujve mohues të mëparshëm; kurse ndëshkimi në botën tjetër është qëndrimi i përhershëm në zjarrin e Xhehenemit.
[18] Ky është ndëshkimi juaj në këtë botë: vrasja në mënyrë të pamëshirshme; për shkak të kundërshtimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
[19] Në botën tjetër, ku do të jenë përgjithmonë.
[20] Fjala i drejtohet besimtarëve që janë në front me armikun, në rreshtin e parë të ushtrisë besimtare; kur të jenë afër armikut dhe ballë për ballë me të, nuk u lejohet të dezertojnë dhe të kthejnë shpinën nga frika prej armikut dhe prej vdekjes.
[21] Kushdo që dezerton nga lufta në çastin e përballjes me armikun.
[22] Për të kërkuar përforcime dhe për t’u kthyer përsëri me ta në të njëjtin front me armikun; pra me qëllim të strategjisë së luftës dhe jo për të dezertuar nga lufta.
[23] Allahu do të zemërohet me të.
-178-
- Nuk ishit ju që i vratë ata, por ishte Allahu që i vrau![1] Dhe, kur gjuajte, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuajte, por ishte Allahu Ai që gjuajti,[2] dhe donte që t’i sprovonte besimtarët me një sprovë të mirë.[3] Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[4]
- Kjo ishte për ju;[5] dhe dijeni se Allahu e dobëson intrigën e mohuesve.[6]
- Nëse ju (idhujtarët) kërkuat fitoren mbi të padrejtët – ajo fitore ju erdhi.[7] Dhe nëse hiqni dorë, kjo është më e mirë për ju; [8] por nëse ktheheni, edhe Ne do të kthehemi,[9] dhe kurrë nuk do t’ju bëjnë dobi forcat tuaja,[10] sado të shumta të jenë;[11] sepse Allahu është me besimtarët.[12]
- O ju që keni besuar![13] Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij[14] dhe mos ia ktheni shpinën atij,[15] ndërkohë që ju dëgjoni![16]
- Dhe mos u bëni si ata që thonë “Dëgjojmë”, ndërkohë që ata nuk dëgjojnë.[17]
- Vërtet, krijesat më të këqija tek Allahu janë shurdhmemecët, të cilët nuk e përdorin arsyen.[18]
- Sikur Allahu të dinte ndonjë të mirë tek ata,[19] do t’i bënte të dëgjonin.[20] Por, edhe sikur t’i bënte të dëgjonin,[21] ata do të kthenin shpinën duke refuzuar.[22]
- O ju që keni besuar![23] Përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ai (i Dërguari) ju thërret në atë që ju jep jetë![24] Dhe dijeni se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij,[25] dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë![26]
- Dhe ruajuni një sprove,[27] e cila nuk do të godasë vetëm ata që kanë bërë padrejtësi nga mesi juaj;[28] dhe dijeni se Allahu është i ashpër në ndëshkim![29]
[1] Nuk i vratë me fuqinë dhe forcën tuaj idhujtarët në luftën e Bedrit, por ishte Allahu që jua dha fitoren mbi ta, duke i përgatitur kushtet për këtë, siç u than ë ajetet më sipër.
[2] Kur filloi lufta, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri në çadrën e vet dhe iu lut Allahut e i kërkoi Atij fitoren mbi armiqtë, pastaj doli dhe mori një grusht dhe (rërë), të cilin e hodhi në drejtim të armiqve. Atëherë, Allahu bëri që ai dhe të arrinte tek të gjithë ushtarët e armikut, duke iu futur në sy, gojë dhe fytyrë. Në këtë çast, fuqia e armikut u dobësua dhe ata filluan të dështojnë në luftë dhe të tërhiqen, deri sa u mundën.
[3] Allahu kishte fuqi dhe mundësi që t’ia jepte fitoren besimtarëve mbi mosbesimtarët pa qenë nevoja të bënin luftë, por Allahu donte të sprovonte besimtarët nëpërmjet xhihadit dhe t’i jepte atyre gradat më të larta dhe shpërblimin më të madh dhe më të mirë.
[4] Allahu dëgjon lutjen e të Dërguarit të Tij dhe të gjithë besimtarëve, dhe di gjithçka që njeriu fsheh brenda vetes apo që e shfaq, dhe me dijen dhe urtësinë e Tij, Ai i cakton secilit atë që meriton dhe atë që është në të mirë të tij, dhe e shpërblen secilin sipas qëllimit dhe veprës së tij.
[5] Kjo ishte fitorja që Allahu iu dhuroi juve, o besimtarë, dhe e gjitha ishte nga Allahu.
[6] Me qëllim që të poshtërohen dhe të dorëzohen para të vërtetës ose të shkatërrohen. Allahu dobëson çdo intrigë dhe kurth që mohuesit i bëjnë Islamit dhe muslimanëve, dhe i kthen intrigat e tyre kundër vetë atyre.
[7] Erdhi fitorja e të shtypurve kundër shtypësve, dhe atyre që ishin në të vërtëtën kundër atyre që ishin në të pavërtetën, ashtu siç e kërkuat ju, o idhujtarët e Mekes! Kjo, sepse idhujtarët e Mekes, para luftës së Bedrit, i kërkuan Allahut që t’i jepte fitoren mbi muslimanët, duke i quajtur muslimanët shtypës dhe çështjen e tyre të padrejtë, kurse veten e tyre të shtypur dhe çështjen e tyre të drejtë, ndërkohë që ishte e kundërta. Kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së tyre, dhe ia dha fitoren atyre që ishin vërtetë të shtypur dhe çështja e të cilëve ishte e drejtë, sepse çështja e tyre ishte Islami, e vërteta e zbritur nga Allahu mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).
[8] O idhujtarë kurashit, dhe të gjithë ju mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse hiqni dorë nga mohimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij dhe nga luftimi i të Dërguarit të Allahut dhe besimtarëve, kjo do të jetë më mirë për ju në këtë botë dhe në botën tjetër.
[9] Nëse i ktheheni luftës kundër të Dërguarit të Allahut dhe besimtarëve, edhe ne do të kthehemi duke ia dhënë fitoren përsëri atyre.
[10] Qoftë nga vetë ju apo nga aleatët dhe miqtë tuaj mohues e idhujtarë, si ju.
[11] Si në luftën e Bedrit, ku forcat e idhujtarëve ishin sa trefishi i atyre të besimtarëve.
[12] Dhe padyshim, se ai që ka Allahun në anën e tij, është gjithnjë i fituar, edhe nëse është i dobët dhe i vogël në numër. Allahu është me besimtarin në varësi të gradës së besimit të tij dhe veprave që ka bërë në besimin e tij. Nëse ndonjëherë armiqtë fitojnë mbi besimtarët, kjo ndodh për shkak të neglizhimit të besimtarëve dhe moskryerjen e të gjitha atyre që ua detyron besimi i tyre, përndryshe, nëse ata zbatojnë të gjitha ato që ka urdhëruar Allahu në mënyrën më të mirë dhe më të plotë, nuk do të humbnin kurrë asnjë betejë dhe nuk do të fitonte kurrë asnjë armik kundër tyre.
[13] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[14] Në gjithçka që ju urdhërojnë apo ndalojnë.
[15] Mos ia ktheni shpinën të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), duke kundërshtuar urdhrat apo ndalesat e tij.
[16] Dëgjoni atë që ju thotë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe atë që i shpallet atij prej Kuranit, urdhrat dhe ndalesat e tij, porositë dhe udhëzimet.
[17] Mos u bëni si idhujtarët dhe mohuesit, apo si hipokritët, të cilët kur dëgjojnë t’iu lexohet Libri i Allahut, thonë: “Dëgjuam me veshtë tanë”, por ata nuk marrin mësim dhe nuk përfitojnë prej tij për shkak të kthimit të shpinës atij dhe mos-meditimit në atë që dëgjojnë; pra ata janë njësoj sikur të mos e kishin dëgjuar. Pra, ju o besimtarë, mos u bëni si ata, sepse të besosh do të thotë që të keni mbushur zemrën me besimin e vërtetë dhe këtë gjë ta vërtetojnë veprat tuaja.
[18] Krijesat më të këqia tek Allahu, nga ato që ecin mbi tokë, janë shurdhmemecët, të cilët në fakt dëgjojnë dhe flasin, por nuk dëgjojnë të vërtetën për të mësuar prej saj dhe për ta zbatuar atë, si dhe nuk e thonë të vërtetën kur flasin; janë ata shurdhmemecë të cilët nuk e përdorin arsyen për të kuptuar nga Allahu urdhrat dhe ndalesat e Tij, dhe për t’i zbatuar ato me gjymtyrët e tyre, që është vetëm për të mirën e tyre; janë ata që kanë zemrën shurdhmemece dhe të verbër.
[19] Tek idhujtarët dhe mosbesimtarët shurdhmemecë.
[20] Por Allahu e dinte me dijen e Tij absolute, se në zemrat e tyre nuk ka asnjë të mirë, kështu që nuk i bëri të dëgjojnë me zemër dhe mendje.
[21] Të dëgjonin me vëmendje dhe ta kuptonin atë që dëgjonin nga provat e Allahut që i shpalleshin të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[22] Do t’i kthenin shpinën Allahut dhe të Dërguarit të Tij gjithësesi, duke e refuzuar besimin që e gjetën dhe e kuptuan në provat e Allahut dhe shpalljet e Tij; dhe duke qenë kryeneç ndaj të vërtetës pasi që e mësuan atë.
[23] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).
[24] Në të vërtetën, në Kuran, në Islam, dhe në luftimin e armiqve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Gjithçka në të cilën thërret Allahu dhe i Dërguari i Tij është jetë për zemrat, shpirtin dhe trupin; jetë e vërtetë dhe lumturi e kësaj bote dhe e botës tjetër. Atëherë, a nuk duhet t’i bindemi plotësisht dhe me të gjithë qënien dhe gëzimin tonë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe t’i përgjigjemi atyre për çdo gjë që na thërrasin në Kuran dhe në Sunet?
[25] Prandaj, bëni kujdes nga thyerja e urdhrit të Allahut në momentin e parë që ju vjen, se përndryshe Allahu do të ndërhyjë mes jush dhe zemrave tuaja dhe kështu që nuk do të mund ta pranoni dhe ta zbatoni urdhrin e Tij më pas, por do ju ndryshojnë dhe do ju përmbysen zemrat, sepse ato janë në dorë të Allahut, dhe Ai i kthen ato nga të dojë dhe si të dojë. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) lutej shpesh: “O Ti që përmbys zemrat, bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde! O Ti që i kthen zemrat, ktheje zemrën time nga bindja ndaj Teje!”
[26] Dijeni gjithashtu se tek Allahu do të ktheheni të gjithë në ditën e Kiametit, dhe atëherë do të shpërblejë secilin sipas veprave që ka bërë në dynja; atë që ka vepruar mirë, do e shpërblejë me të mira në xhenet, kurse atë që ka vepruar keq, me zjarrin e xhehenemit ku do të jetë përgjithmonë.
[27] Prove dhe fatkeqësie me të cilën Allahu ju sprovon apo ju ndëshkon.
[28] Por bashkë me atë që ka bërë padrejtësi, d.m.th. idhujtari dhe shkelje të urdhrave të Allahut, do të godasë edhe të tjerët që nuk kanë ndaluar nga padrejtësia; pra sprova dhe ndëshkimi do të kapë atë që bën të keqen dhe të tjerët bashkë me të; dhe mënyra për të shpëtuar nga sprova dhe ndëshkimi i Allahut është duke i ndaluar të padrejtët dhe mëkatarët nga padrejtësia dhe mëkati i tyre, me të gjitha mundësitë dhe mënyrat.
[29] Ndaj atyre që e meritojnë ndëshkimin e Tij.
-179-
- Kujtoni[1] kur ishit pak në numër, të shtypur në tokë dhe kishit frikë se njerëzit mund t’ju rrëmbenin,[2] por Ai ju strehoi,[3] ju përkrahu me ndihmën e Tij[4] dhe ju furnizoi nga të gjitha të mirat,[5] në mënyrë që të falënderoni.[6]
- O ju që keni besuar![7] Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin[8] – dhe kështu të tradhtoni amanetet tuaja,[9] duke qenë se e dini.[10]
- Dhe dijeni se pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë,[11] dhe se tek Allahu ka shpërblim të madh.[12]
- O ju që keni besuar! Nëse i frikësoheni Allahut,[13] Ai do t’ju japë një kriter,[14] do t’ju fshijë gjynahet tuaja dhe do t’ju falë.[15] Allahu zotëron mirësi të madhe.[16]
- Dhe (kujto) kur mohuesit komplotonin kundër teje për të të ngujuar, vrarë ose dëbuar.[17] Ata ngrinin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe, dhe Allahu është më i miri i planifikuesve.[18]
- Kur atyre[19] u lexohen ajetet Tona, ata thonë: “Kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne do të thoshim diçka të ngjashme. Këto nuk janë gjë tjetër, veçse legjenda të të parëve.”[20]
- Dhe (kujto gjithashtu) kur ata thanë: “Zoti ynë! Nëse kjo[21] është e Vërteta nga Ti, atëherë lësho mbi ne gurë nga qielli ose na sill një ndëshkim të dhembshëm!”[22]
- Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti (Muhamed) ishe në mesin e tyre[23] dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata kërkojnë falje.[24]
[1] I drejtohet besimtarëve që emigruan nga Meka në Medine.
[2] Ishit të pakët në numër dhe të shtypur nga idhujtarët e Mekës, dhe kishit frikë se ata mund t’ju rrëmbenin dhe t’ju vrisnin në çdo kohë.
[3] Ju strehoi në një vend të sigurtë, në Medine, ku armiqtë nuk mund t’ju dëmtonin.
[4] Duke ju forcuar me Ensarët – besimtarët medinas, dhe duke ju dhënë fitoren kundër idhujtarëve kurashit në luftën e Bedrit.
[5] Ku mes tjerash edhe preja e luftës, që Allahu e bëri të lejuar për ta.
[6] Të jeni mirënjohës ndaj Allahut dhe t’i bindeni Atij dhe të Dërguarit të Tij, dhe të mos e kundërshtoni kurrë atë.
[7] Që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, prej shokëve të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).
[8] Duke shfaqur besimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit, por duke fshehur mosbesimin dhe spiunimin për idhujtarët e Mekës – siç vepruan hipokritët.
[9] Besimin, fenë dhe bindjen ndaj Allahut; amanetin që ju ka lënë Allahu; zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat e Tij.
[10] Se ky është amaneti i Allahut dhe se duhet ta përmbushni atë ashtu si jeni urdhëruar në Kuran dhe në Sunet.
[11] Pasuria që ju ka dhënë Allahu dhe fëmijët që ju ka dhuruar, janë sprovë për ju, për të parë si do të veproni në zbatimin e urdhrave dhe ndalesave të Allahut që lidhen me to, dhe nëse do të favorizoni dëshirat vetjake mbi amanetin e Allahut dhe detyrimet ndaj Tij.
[12] Prandaj, nëse arsyetoni si duhet, mos i jepni përparësi dëshirave dhe kënaqësive të përkohshme të kësaj bote, duke lënë pas dore shpërblimin e madh që gjendet tek Allahu për ata që i binden Atij dhe që zbatojnë ligjet e Tij në lidhje me pasurinë dhe fëmijët e tyre, duke ruajtur të drejtën e tyre dhe të drejtën e Allahut dhe detyrimet ndaj Tij.
[13] Duke ju bindur Atij me zbatim të urdhrave të Tij dhe largim nga ndalesat e Tij; nëse e bëni këtë, do të arrini lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, dhe të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, që numërohen në vijim të ajetit.
[14] Një dallues të qartë mes të vërtetës që ju pasoni dhe të pavërtetës që pasojnë armiqtë tuaj idhujtarë e mohues; duke ju dhënë fitoren kundër tyre.
[15] Nuk do t’ju ndëshkojë për gjynahet dhe mëkatet tuaja, por do jua fshijë dhe do jua falë ato.
[16] Me të cilën shpërblen ata që i binden Atij dhe i ruhen ndalesave të Tij; që i japing përparësi kënaqjes së Allahut mbi dëshirat vetjake.
[17] Kujto mirësinë e Allahut ndaj teje, o Muhamed, para se të emigroje nga Meka në Medine, kur idhujtarët e Mekës u mblodhën për të diskutuar çfarë do të bënin me ty që të të pengonin nga thirrja jote; të ngujonin e të burgosnin tek ata, të vrisnin apo të dëbonin nga Meka.
[18] Por Allahu e shpëtoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) nga kurthi i tyre, duke bërë që ai të dilte nga shtëpia e tij që e kishin rrethuar idhujtarët për ta vrarë, dhe të kalonte mes tyre pa e vënë re, për të vazhduar më pas rrugën e tij drejt Medines bashkë me Ebu Bekrin (radiallahu anhu); dhe po kështu Allahu planifikon për të Dërguarin e Tij dhe për besimtarët.
[19] Mohuesve dhe idhujtarëve.
[20] Pra, ata thonë se ky Kuran, që i lexohet atyre, është nga legjendat e popujve të mëparshëm dhe historitë e tyre, dhe nuk është shpallur nga Allahu; dhe se po të donin, edhe ata do të sillnin një të ngjashëm me të; por kjo është kryeneçësi dhe padrejtësi e tyre, përndryshe, Allahu i sfidoi ata duke i thënë që të sjellin vetëm një sure të vetme si suret e Kuranit, dhe të kërkonin ndihmën e kujt të mundnin prej njerëzve apo xhinëve, por ata u sfiduan dhe nuk mundën ta bënin këtë, madje as një ajet apo fjalë si ato të Allahut nuk mundën të sjellin.
[21] Kjo, në të cilën fton Muhamedi (salallahu alejhi ue selem); Islami, Kurani.
[22] Dhe vërtet, atyre iu erdhi një pjesë e ndëshkimit të dhembshëm në ditën e betejës së Bedrit; por kjo lutje e tyre tregon vërtet injorancën dhe mendjelehtësinë e tyre të tepruar, sepse u lutën kundër vetvetes, në vend që të thonin: “Nëse kjo është e vërteta nga Ti, o Zot, atëherë na udhëzo në të!” Ndërsa ata kërkuan dënimin e shpejtë, dhe nëse Allahu do ia sillte atë dënim që kërkuan, do t’i kishte shfarosur të gjithë, por Ai e shtyu atë dënim për shkak se në mesin e tyre ishte i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[23] Prezenca e Mihamedit (salallahu alejhi ue selem) në mesin e tyre, ishte siguri për ta nga Allahu, deri sa ai doli prej tyre dhe emigroi në Medine.
[24] Allahu nuk do i ndëshkonte ata, nëse do të kërkonin falje për përgënjeshtrimin e Muhamedit dhe mohimin e tyre, por ata nuk kërkonin falje, madje vazhdonin me këmbëngulje dhe kryeneçësi në humbjen e tyre, kështu që ndëshkimi i Allahut mund t’iu vinte në çdo çast, pas daljes së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) nga mesi i tyre dhe emigrimi i tij në Medine.
-180-
- E përse të mos i dënojë Allahu ata, përderisa ata pengojnë nga Xhamia e Shenjtë (Qabja)[1], dhe kurrë nuk kanë qenë miqtë e saj?![2] Miqtë e saj janë vetëm të devotshmit,[3] por shumica e tyre nuk e dinë.[4]
- Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe) ishte vetëm fërshëllimë dhe përplasje e duarve.[5] Prandaj, shijoni ndëshkimin, për shkak se mohonit![6]
- Në të vërtetë, ata që mohuan[7] e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut.[8] Ata do ta shpenzojnë atë, pastaj ajo (pasuria) do jetë dëshpërim për ta,[9] pastaj do të munden.[10] Ata që nuk besojnë, në Xhehenem do të tubohen;[11]
- Që Allahu të veçojë të ligun nga i miri;[12] të ligjtë t’i vendosë njëri mbi tjetrin, t’i grumbullojë të gjithë së bashku dhe t’i fusë në Xhehenem. Të tillët janë të humburit.[13]
- Thuaju atyre që nuk besojnë se, nëse heqin dorë, do t’u falet ajo që ka kaluar;[14] por nëse kthehen,[15] precedenti i popujve të mëparshëm është i ditur tashmë.[16]
- I luftoni ata, derisa të mos mbetet sprovë[17] (idhujtari) dhe e gjithë feja të jetë vetëm për Allahun.[18] Nëse ata heqin dorë (nga idhujtaria),[19] padyshim se Allahu sheh çdo gjë që veprojnë ata.[20]
- Por, nëse ata kthejnë shpinën,[21] dijeni se Allahu është mbrojtësi juaj.[22] Ai është Mbrojtësi i shkëlqyeshëm dhe Ndihmësi i shkëlqyeshëm![23]
[1] Çfarë do e pengonte ndëshkimin e Allahut mbi idhujtarët e Mekes, kur ata nuk besonin dhe pengonin besimtarët që besonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij nga vizita dhe falja në Xhaminë e Shenjtë të Qabes?
[2] Nuk kanë qenë kurrë miqtë e vërtetë të Qabes, ku të adhuronin vetëm Allahun dhe ta madhëronin Atë, por kishin futur në të idhuj, të cilët i adhuronin në vend të Allahut. Mund të ketë gjithashtu kuptimin se: Nuk ishin miqtë e Tij, d.m.th. të Allahut, por kuptimi më i afërt lidhet me Qaben, sepse për atë po flitet.
[3] Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe ata që e besuan dhe e pasuan atë; ata të cilët i binden Allahut dhe kërkojnë kënaqësinë e Tij.
[4] Se kush janë miqtë e vërtetë të Qabes.
[5] Kështu e adhuronin Allahun idhujtarët e Mekes, duke fërshëllyes dhe duartrokitur, në vend që ta madhëronin dhe respektonin atë, duke adhuruar Allahun ashtu si i takon; prandaj ata nuk kanë qenë kurrë miq të Qabes dhe nuk mund të kishin më shumë të drejtë në të se sa besimtarët e vërtetë që ishin me Muhamedin, dhe të cilët ishin miqtë e vërtetë të Qabes, të cilët e respektonin dhe e madhëronin atë, ashtu si donte dhe kërkonte Allahu.
[6] Shijoni dënimin në betejën e Bedrit, ku u vranë kokat e idhujtarëve të Mekes, ata të cilët ishin mohuesit më të mëdhenj dhe më të ashpër kundër Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe muslimanëve.
[7] Që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).
[8] Ia japin pasuritë e tyre parisë idhujtare të Mekes për të përgatitur ushtri kundër Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarëve që ishin në Medine, që t’i ndalojnë ata nga besimi i vërtetë dhe rruga e Allahut; po kështu veprojnë mohuesit dhe idhujtarët në çdo kohë dhe vend.
[9] Sepse do të shpenzojnë pasuritë dhe nuk do ta arrijnë atë që kërkojnë dhe shpresojnë: për të fikur dritën e Allahut dhe për të ngritur mosbesimin mbi Fjalën e Allahut; por Allahu do ta lartësojë gjithnjë Fjalën e Tij dhe do ta ulë dhe poshtërojë fjalën e mosbesimit.
[10] Do të munden nga besimtarët me fitoren që Allahu do u japë atyre.
[11] Që të gjithë ata që e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), do të mblidhen së bashku në ferr, ku do të dënohen përgjithmonë, dhe atëherë do të pikëllohen dhe pendohen edhe më shumë kur të shohin se si ishte përfundimi i tyre dhe si do të jetë përfundimi i besimtarëve.
[12] Allahu do i tubojë të gjithë mohuesit në zjarrin e xhenemit, që të dallojë dhe veçojë mes të ligëve dhe të këqinjve, dhe mes besimtarëve që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilët janë të mirët dhe zemërmirët, dhe të cilët Allahu do i strehojë në kopshtet e xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë.
[13] Mohuesit dhe idhujtarët, të cilët shpenzojnë pasuritë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut, janë të humburit e vërtetë, të cilët e blenë dënimin e Allahut me pasuritë e tyre, dhe kështu që tregtia e tyre ishte e humbur, dhe ata humbën në këtë botë dhe në botën tjetër.
[14] Thuaju, o Muhamed, mohuesve idhujtarë nga populli yt se: nëse heqin dorë nga mohimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe nga luftimi yt dhe i besimtarëve, si dhe duke u kthyer në besim, atëherë do t’u falet e kaluara e tyre para se të besonin dhe para se të ktheheshin tek Allahu me pendim, çfarë do të keqe të kenë bërë më parë.
[15] Në mosbesim dhe në luftimin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe të besimtarëve.
[16] Tashmë dihet se çfarë vepron Allahu me popujt mohues, arrogantë dhe përgënjeshtrues të Allahut dhe të dërguarve të Tij: Zbret mbi ta dënimin e shpejtë në këtë botë me të cilin i shfaros të gjithë, për t’i pritur dënimi më i madh dhe i përhershëm në botën tjetër; kështu që le të marrin mësim dhe të përgatiten ata që mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), dhe të cilët luftojnë të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët për të penguar nga rruga e Allahut, të përgatiten për zbritjen e dënimit mbi ta.
[17] Deri sa njerëzit të mos sprovohen në besimin e tyre duke e përzierë atë me idhujtari, apo duke u penguar nga rruga e Allahut prej idhujtarëve.
[18] Derisa të adhurohet vetëm Allahu dhe të mos i bëhet Atij ortak apo shok në adhurim, dhe të mos ketë në mesin tuaj asnjë fe tjetër përveç fesë së Allahut. Pra, kushti i largimit të sprovave dhe fatkeqësive nga njerëzit është që të adhurojnë vetëm Allahun dhe të mos i bëjnë Atij shok në adhurim, dhe t’i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).
[19] Nga idhujtaria dhe mohimi, duke u kthyer në Islam dhe bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
[20] Allahu i sheh ata nëse heqin dorë nga mohimi dhe idhujtaria dhe hyjnë në Islam, dhe Ai sheh gjithçka veprojnë ata dhe çdo krijesë e Tij, pa i shpëtuar asgjë.
[21] Nëse idhujtarët i kthejnë shpinën thirrjes tuaj, o besimtarë, kur i ftoni për të besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem), si dhe ju luftojnë ju.
[22] I Cili ju mbron prej tyre dhe ju ndihmon e ju jep fitoren kundër tyre.
[23] Nuk ka Mbrojtës dhe Ndihmës më të mirë se Allahu për besimtarët që janë miq të Tij; e Ai që ka Allahun Mbrojtës dhe Ndihmës, nuk ka pse të ketë frikë.
-181-
- Dijeni se nga çdo pre që fitoni në luftë,[1] një e pesta i takon Allahut,[2] të Dërguarit, të afërmve të tij (të Dërguarit),[3] jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit (të bllokuar),[4] nëse besoni në Allahun dhe në atë që ia kemi shpallur robit Tonë[5] në ditën e kriterit[6] – ditën kur u ndeshën dy ushtritë (në Bedër). Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.[7]
- Kur ju ishit në shpatin e afërt të luginës,[8] ata ndodheshin në shpatin e largët,[9] ndërsa karvani ishte më poshtë jush.[10] Dhe, sikur të kishit caktuar takim me njëri-tjetrin,[11] nuk do të shkonit në takim,[12] por Allahu do të përmbushte një çështje tashmë të paracaktuar[13] – që kushdo që do të vdiste,[14] të vdiste pasi i kishte parë provat e qarta[15] dhe, kushdo që do të jetonte, të jetonte pasi i kishte parë provat e qarta.[16] Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe di gjithçka.[17]
- (Kujto, o Muhamed!) Kur Allahu të bëri që t’i shohësh ata në ëndërr sikur ishin pak në numër;[18] sepse sikur të bënte të shihje se ishin shumë, ju do të humbisnit guximin dhe do të grindeshit për çështjen,[19] por Allahu ju shpëtoi (prej kësaj).[20] Me të vërtetë, Ai e di se çfarë gjendet brenda gjokseve.[21]
- Kur u përballët,[22] Ai bëri që ata të duken pak në sytë tuaj,[23] kurse ju të dukeshit pak në sytë e tyre,[24] në mënyrë që Allahu të përmbushte një çështje tashmë të paracaktuar.[25] Tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.[26]
- O ju që keni besuar![27] Kur të ndesheni me ndonjë palë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni Allahun shumë, në mënyrë që të fitoni.[28]
[1] Nga çdo pre që ju, o besimtarë, e fitoni në luftë kundër idhujtarëve dhe mohuesve.
[2] Allahut i takon gjithçka në qiej e në tokë, por qëllimi është se një e pesta e plaçkës së luftës ndahet për interesin e përbashkët të muslimanëve (për buxhetin e shtetit musliman), për të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe për kategoritë që përmenden në vijim të ajetit, kurse katër të pestat ndahen mes luftëtarëve që morën pjesë në luftë: për këmbësorin 1 hise, kurse për kalorësin 3 hise: 2 për kalin dhe 1 për vete.
[3] Fisit Beni Hashim dhe Beni El Muttalib; pa marrë parasysh nëse janë të varfër apo të pasur.
[4] Jetimët janë ata që u ka vdekur babai dhe janë të mitur, deri në moshën e pjekurisë. Të varfërit janë ata që nuk i plotësojnë nevojat e tyre të jetesës, kurse udhëtari që është për qëllim këtu, është ai që është bllokuar në mes të rrugës dhe nuk ka mundësi të vazhdojë rrugën për në destinacionin e tij për shkak se i mungojnë mjetet financiare. Pra, një e pesta e plaçkës së luftës ndahet në pesë pjesë: Pjesa e parë është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e cila pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut i kthehet prijësit të muslimanëve dhe buxhetit të shtetit; Pjesa e dytë është për të afërmit e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe në mungesë të tyre i kaon gjithashtu buxhetit të shtetit, ose i ndahet kategorive të tjera që kanë pjesë në një të pestën; Pjesa e tretë është për jetimët; Pjesa e katërt është për të varfërit dhe nevojtarët e muslimanëve; Pjesa e pestë është për udhëtarin që ka mbetur në mes të rrugës.
[5] Pra, nëse jeni besimtarë, plaçkën e luftës duhet ta ndani në këtë mënyrë që është sqaruar këtu.
[6] Ditën kur e vërteta u dallua nga e pavërteta dhe triumfoi mbi të në luftën e Bedrit.
[7] Allahu është i Fuqishëm për të shkatërruar mosbesimtarët dhe të gjitha ushtritë e tyre, dhe është i Fuqishëm për çdo gjë, dhe askush apo asgjë nuk mund ta pengojë Atë që të veprojë atë që do.
[8] Në shpatin më të afërt të luginës së Bedrit nga Medina, duke synuar ujin e puseve të Bedrit – para se të fillonte lufta e Bedrit.
[9] Ushtria e armikut ndodhej në shpatin më të largët nga ju dhe më pranë Mekes, në drejtim të puseve të Bedrit duke synuar ujin.
[10] Karvani i Ebu Sufjanit që kthehej nga Levanti, ishte në një zonë më poshtë jush, duke ardhur nga bregu i detit të Kuq drejt puseve të Bedrit për ujë, pa e ditur që Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët gjendeshin atje.
[11] Edhe sikut të kishit lënë takim me armikun tuaj prej idhujtarëve të Mekës në Bedër.
[12] Për shkak të numrit të madh të ushtrisë së armikut dhe numrit të vogël të besimtarëve, por Allahu i bashkoi ata pa ndonjë takim të caktuar me njëri-tjetrin.
[13] Ai paracaktim i Allahut ishte fitorja e miqve të Tij besimtarë dhe disfata e armiqve të Tij dhe të tyre, në Bedër.
[14] Në atë luftë dhe më pas.
[15] Pasi t’i ishte bërë e qartë e vërteta e Islamit, Muhamedit dhe Kuranit, të kishte parë prova të qarta nga Allahu se si e ndihmonte të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, dhe të mos mbetej asnjë lloj justifikimi për të para Allahut në ditën e Gjykimit.
[16] Ata që mbetën gjallë prej idhujtarëve në luftën e Bedrit, i kishin parë qartë provat e Allahut, kështu që të merrnin mësim prej tyre dhe të pendoheshin e të ktheheshin te Allahu dhe i Dërguari i Tij me besim e përulje; pra të gjallëve prej tyre po i jepej edhe një mundësi tjetër që të ktheheshin nga idhujtaria në besimin e vërtetë, pasi i kishin parë provat e qarta të Allahut në luftën e Bedrit. Ka edhe kuptimin krahasues: Që të mohojë (vdesë) ai që do të mohojë (vdesë) pasi t’i jetë bërë e qartë e vërteta dhe pasi i pa provat dhe mrekullitë e Allahut në luftën e Bedrit, dhe po ashtu të besojë (jetojë) ai që do të besojë (jetojë) pasi i pa të njëjtat prova dhe mrekulli; pra krahason mohimin me vdekjen dhe besimin me jetën.
[17] Prandaj, kini frikë Allahun dhe mos flisni veçse të vërtetën, sespe Ai ju dëgjon, dhe mos mendoni keq për Të, sepse Ai e di çfarë fshehin gjokset dhe nuk i shpëtpn asgjë e dukshme apo e padukshme.
[18] Allahu i shfaqi në ëndërr të Dërguarit të Tij, para luftës, sikur numri i armiqve ishte i vogël – me qëllim që i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) t’ia tregonte ëndrrën e tij besimtarëve dhe ata të merrnin kurajo dhe t’iu ngriheshin moralet, sepse në realitet do të luftonin një armik që ishte sa trefishi i numrit të tyre.
[19] Do të pushtoheshin nga frika dhe do të grindeshin me njëri-tjetrin për çështjen e kësaj lufte, nëse duhet ta bënin apo jo.
[20] I shpëtoi prej dështimit, humbjes së guximit dhe grindjes me njëri-tjetrin, duke bërë që i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) t’i shihte në ëndërr sikur ishin pak në numër.
[21] Allahu e di mirë se çfarë ka në zemrën e secilit; prej vendosmërisë dhe frikës, të vërtetës dhe gënjeshtrës; dhe sepse e dinte se çfarë kishte në zemrat tuaja, o besimtarë, Ai zbrazi mirësinë dhe butësinë e Tij mbi ju, dhe ju dha fitoren mbi armiqtë tuaj.
[22] Me armikun tuaj në Bedër.
[23] Për t’ju dhënë kurajo që të luftonit pa frikë.
[24] Me qëllim që armiqtë të neglizhonin dhe të vetëmashtroheshin; që të mos merrnin masat e duhura e të mos përgatiteshin si duhet kundër besimtarëve që ishin shumë me pak se ata në numër, dhe të mendonin se mund t’i shtypnin lehtë, pa qenë nevoja të sforcohen e të përgatiten për luftën.
[25] Dhënia e fitores besimtarëve në luftën e Bedrit dhe plotësimi i mirësisë së Tij ndaj tyre.
[26] Dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas asaj që ka vepruar dhe që meriton.
[27] O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), dëgjoni me kujdes dhe zbatoni me përpikmëri ato që thuhen në Kuran, veçanërisht kur thirreni me këtë shprehje “O ju që keni besuar!”, sepse fjala që vjen është e një rëndësie të veçantë për ju.
[28] Pra, dy gjëra duhet të jenë prezente patjetër kur ndeshni një palë armike, e çfarë do lloj qoftë: 1. Bëhuni të qëndrueshëm duke mos dezertuar, dhe 2. Përmendni Allahun sa më shumë me gjuhët tuaja, lutjet tuaja dhe zemrat tuaja. Kështu, Allahu do ju dhurojë fitoren mbi ta.
-182-
- Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe mos u grindni mes jush, sepse kështu humbni guximin dhe ju ikën fuqia;[1] dhe bëhuni të durueshëm,[2] sepse vërtet, Allahu është me të durueshmit.[3]
- Dhe mos u bëni si ata që dolën nga shtëpitë e tyre me mendjemadhësi e për sy e faqe të njerëzve,[4] dhe për të penguar nga rruga e Allahut.[5] Allahu e di mirë gjithçka veprojnë ata.[6]
- Dhe (kujto) kur djalli ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: “Askush nga njerëzit nuk do t’ju mundë sot dhe unë jam mbrojtësi juaj.”[7] Mirëpo, kur dy ushtritë u përballën me njëra-tjetrën,[8] ai u zmbraps duke ia mbathur dhe duke thënë: “Unë nuk kam të bëj me ju;[9] unë shoh atë që ju nuk e shihni[10] dhe i frikësohem Allahut,[11] dhe Allahu është i ashpër në ndëshkim.”[12]
- (Kujto) Kur hipokritët dhe ata që kishin sëmundje (dyshim) në zemrat e tyre,[13] thanë: “Këta i ka mashtruar feja e tyre!”[14] Por ai që mbështetet tek Allahu – atëherë padyshim, Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[15]
- Veç sikur të shihje kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që nuk besuan![16] – U godasin fytyrat dhe shpinat e tyre,[17] dhe u thonë: “Shijoni dënimin e zjarrit![18]
- Kjo është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja,[19] se Allahu nuk është kurrë i padrejtë ndaj robërve të Tij!”[20]
- (Vepruan) Si zakoni i ithtarëve të Faraonit dhe i atyre para tyre; I mohuan provat e Allahut, kështu që Allahu i dënoi ata për shkak të gjynaheve të tyre.[21] Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm dhe i ashpër në ndëshkim.[22]
[1] Mos u grindni me njëri-tjetrin, mos u përçani dhe mos urreni njëri-tjetrin, o besimtarë, sepse kështu do të humbni guximin dhe kurajon kundër armikut dhe nuk do të keni fuqi dhe forcë kundër tij.
[2] Duroni ashtu si i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur ndesheni me armikun, dhe duroni në bindje ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij në çdo kohë apo vend.
[3] Allahu është me të durueshmit; i mbron, i ndihmon, i përkrah dhe i jep fitoren mbi armiqtë.
[4] Ky ishte qëllimi i idhujtarëve të Mekes në luftën e Bedrit; kur ata mësuan se karvani Ebu Sufjanit e kaloi rrezikun dhe ishte në zonë të sigurtë, disa prej tyre thanë që të ktheheshin, sepse nuk kishte arsye pse të vazhdonin rrugën drejt Muhamedit dhe shokëve të tij, por paria e tyre kryeneçe vendosën të vazhdojnë rrugën drejt muslimanëve, dhe kur të arrinin në Bedër, të qëndronin atje në kamping dhe të pinin alkool e të kërcenin, që ta merrnin vesh arabët fuqinë e tyre dhe poshtërimin që i bënë Muhamedit dhe besimtarëve që ishin me të. Pra, o besimtsarë, mos u bëni si ata, por të jeni të sinqertë me Allahun dhe të shpresoni atë që është tek Ai, dhe jo për t’u mburrur e për sy të njerëzve, siç bëjnë mohuesit dhe idhujtarët.
[5] Duke i luftuar dhe torturuar ata me të gjitha mënyrat, që të mos hyjnë në Islam.
[6] Allahut nuk i shpëton asgjë nga veprat e tyre, dhe sipas veprave që bëjnë do iu japë dënimin që meriotjnë mohuesve dhe idhujtarëve, të cilët luftojnë besimtarët dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut.
[7] Iblisi i mallkuar ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe daljen në luftë kundër Muhamedit dhe besimtarëve, dhe pastaj iu shfaq atyre në formën e një njeriu nga fisi Kinane, me të cilin Kurashitët ishin në luftë dhe ia kishin frikën se mos i sulmonte befasisht nga pas shpine, por Iblisi erdhi me një ushtri të tij prej djajve, dhe vetë ai mori formën e një burri të shquar nga fisi Kinane që quhej Suraka ibën Malik ibën Xhu’shum, dhe u tha atyre: “Sot, nuk mund t’ju dalë askush para dhe nuk mund t’ju mund askush, prandaj shkoni para dhe ushtrojeni të gjithë forcën tuaj mbi Muhamedin dhe shokët e tij, sepse nga fisi Kinane do ju mbroj unë, dhe ata nuk do ju luftojnë sepse do i ndaloj unë.”
[8] Kur ushtria e Allahut prej besimtarëve dhe ushtria e djallit prej idhujtarëve u përballën dhe shihnin njëra-tjetrën; dhe kur Iblisi me ushtrinë e tij prej djajve pa Xhibrilin dhe ushtrinë e tij prej engjëjve, i hyri një frikë e madhe dhe duke ikur mbrapsht, u tha idhujtarëve se shihte atë që ata nuk e shohin.
[9] U kthye mbrapsht duke ia mbathur nga frika dhe duke i thënë idhujtarëve që nuk kishte të bënte me ta dhe nuk ishte prej ushtrisë së tyre; duke i lënë në baltë, dhe duke bërë që atyre t’ju hyjë frika gjithashtu, dhe sigurisht që kjo ishte në favor të besimtarëve.
[10] Ai shihte engjëjt që kishin ardhur në ndihmë të besimtarëve, kurse idhujtarët nuk i shihnin ata.
[11] Kam frikë ndëshkimin e Allahut; shpejtimin e ndëshkimit të Allahut në dynja: vdekjen.
[12] Ndëshkimi i Allahut është i ashpër ndaj të gjithë atyre që e meritojnë atë; si në këtë botë edhe në botën tjetër.
[13] Hipokritët dhe ata që kishin dyshim rreth Islamit, që nuk ishin të bindur dhe që nuk e kishin ndjerë shijen e besimit në gjokset dhe zemrat e tyre.
[14] Këta që guxojnë të luftojnë ushtrinë idhujtare janë mashtruar vërtet nga feja e tyre, sepse askush që ka logjokë dhe mendje nuk do të guxonte të futej në luftë me një ushtri tre herë më të madhe se ushtria e tyre, kështu që këtyre u ka ikur mendja; duke pasur për qëllim besimtarët dhe shokët e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).
[15] Ai që beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe i mbështetet Allahut me mbështetje të vërtetë, padyshim se Allahu e ngre atë dhe i jep fitore kundër çdo lloj force apo fuqie, sado e madhe që të jetë, edhe sikur të përfshinte të gjithë njerëzit e botës, sepse Allahu është i Plotfuqishëm, që ka fuqi mbi çdo gjë, dhe i Urtë në gjithçka cakton dhe vepron.
[16] Mohuesve dhe idhujtarëve që u vranë në luftën e Bedrit.
[17] Ka qëllim të pasmet e tyre, por Allahu përdor shprehjet më të larta dhe më etike.
[18] Shpirtrat e mosbesimtarëve zhyten thellë në trup dhe nuk duan të dalin, sepse e dinë se ku do të shkojnë, por engjëjt i nxjerrin ato me forcë, duke i goditur në fytyrë dhe në të pasmet e tyre, në shenjë poshtërimi, dhe u thonë që të shijojnë dënimin e zjarrit që djeg, ditën kur do të hyjnë në xhehenem.
[19] Ky dënim është për shkak të veprës suaj, mosbesimit dhe përgënjeshtrimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij; prandaj shijoni sot dënimin e vdekjes poshtëruese, kurse në ditën e Gjykimit do të shijoni dënimin e zjarrit të xhehenemit.
[20] Allahu nuk ndëshkon askënd nga krijesat e Tij veçse për ndonjë krim që ka bërë, dhe nuk dënon askënd veçse për kundështimin dhe thyerjen e urdhrave të Tij; dhe Allahu është i Drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt, sepse gjithësesi, të gjitha janë krijesat e Tij.
[21] Idhujtarët kurashit që u vranë në Bedër vepruan njësoj si populli i Faraonit dhe popujt e mëparshëm të cilët përgënjeshtruan dhe mohuan provat e Allahut dhe të dërguarit e Tij, kështu që edhe Allahu veproi me idhujtarët kurashit, njësoj si veproi me ata të parët.
[22] Allahu është i Fuqishëm dhe asgjë nuk mund ta pengojë apo ta kthejë vendimin e Tij, dhe Ai është i ashpër në ndëshkimin e atyre që i mohojnë provat dhe të dërguarit e Tij.
-183-
- Kjo,[1] sepse Allahu nuk do ia ndryshonte kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.[2] Dhe vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[3]
- Njësoj si zakoni i ithtarëve të Faraonit dhe i atyre para tyre;[4] I përgënjeshtruan provat e Zotit të tyre, kështu që Ne i shkatërruam për shkak të gjynaheve të tyre,[5] ndërsa ithtarët e Faraonit i fundosëm.[6] Të gjithë ata ishin të padrejtë.[7]
- Vërtet, krijesat më të këqija tek Allahu janë ata që mohojnë,[8] dhe që kurrë nuk besojnë[9] –
- Ata me të cilët ke bërë marrëveshje paqeje,[10] por që e shkelin marrëveshjen e tyre çdo herë,[11] dhe nuk i frikësohen Allahut.[12]
- Nëse i ndesh ata në luftë,[13] shpartalloji, që të marrin mësim të tjerët pas tyre.[14]
- Dhe nëse ke frikë se ndonjë popull tradhton, atëherë hidhja marrëveshjen (haptazi), që të jeni të barabartë,[15] sepse Allahu nuk i do ata që tradhtojnë.[16]
- Të mos mendojnë assesi ata që mohojnë se do të shpëtojnë (nga Ne) – ata kurrë nuk mund të Na sfidojnë.[17]
- Përgatisni kundër tyre[18] gjithçka të mundeni prej forcës luftarake dhe kuajve,[19] me të cilat të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj,[20] si dhe të tjerë përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh.[21] Dhe çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju kompensohet plotësisht dhe nuk do t’ju bëhet aspak padrejtësi.[22]
- E nëse ata anojnë nga paqja,[23] atëherë edhe ti ano nga ajo (paqja) dhe mbështetu tek Allahu.[24] Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[25]
[1] Dënimi që u dhamë idhujtarëve kurashit në Bedër, dhe dënimi që u japim të gjithë mohuesve të Allahut dhe të provave e të dërguarve të Tij.
[2] Idhujtarët kurashit që u ndëshkuan në Bedër, ishin mosmirënjohës ndaj Allahut dhe mirësive të Tij që u kishte dhënë atyre që para se t’i shpallej Muhamedit, kur ata ishin paria e Mekes dhe kujdestarë të Kabes, dhe më pas Ai e zgjodhi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, nga mesi i tyre, gjë që ishte një privilegj tjetër për ta, ndërsa ata e kthyen këtë mirësi me përgënjeshtrim, mohim dhe luftim të dërguarit të Allahut, kështu që edhe mirësia e Allahut ndaj tyre do të ndryshonte dhe të kthehej kundër tyre, njësoj si ka ndodhur me popujt e mëparshëm që vepruan si ata.
[3] Allahu dëgjon fjalët e çdo krijese të Tij, dhe di gjithçka ata shfaqin apo fshehin në gjokse; dhe do të shpërblejë secilin për atë që thonë dhe veprojnë.
[4] Idhujtarët kurashit ndryshuan atë që kishin në veten e tyre njësoj si populli i Faraonit.
[5] Disa me dridhje të fortë të tokës, disa me çarje të tokës, disa më erë të fortë, disa me gurë nga qielli dhe disa me zë të fortë.
[6] I fundosëm në detin që Allahu i hapi Musait dhe popullit të tij për të kaluar në anën tjetër.
[7] Të gjithë popujt e mëparshëm që Allahu u zbriti dënim, ishin të padrejtë ndaj Allahut dhe ndaj vetes së tyre, sepse vepronin atë që nuk duhet të vepronin dhe përgënjeshtronin të dërguarit e Allahut e mohonin provat e Tij.
[8] Krijesat më të këqija që ecin mbi tokë janë ata që mohojnë Njëshmërinë e Allahut dhe adhurojnë të tjerë veç Allahut.
[9] Që nuk i besojnë të dërguarit e Allahut dhe nuk e pranojnë Shpalljet dhe Librat e Allahut.
[10] Krijesat më të këqija janë ata që mohojnë, që nuk besojnë, dhe me të cilët kishe bërë marrëveshje paqeje, o Muhamed, siç ishte fisi hebre Kurejdha dhe të tjerë si ata.
[11] Duke të luftuar ty, o Muhamed, dhe duke ndihmuar armiqtë e tu kundër teje; kjo ndodhi në luftën e Hendekut, kur fisi Kurejdha prishi marrëveshjen me Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) duke spiunuar dhe hapur rrugën armiqve të Muhamedit që të hynin në Medine nga ana e tyre.
[12] Nuk kanë frikë se me këtë vepër të tyre do të tërheqin zemërimin e Allahut dhe zbritjen e ndëshkimit të Tij mbi ta.
[13] Ata që thyejnë marrëveshjen.
[14] Të frikësohen të tjerët si ata, me të cilët keni bërë marrëveshje paqeje, dhe të mos e thyejnë marrëveshjen e tyre si e thyen këta të fisit Kurejdha.
[15] Nëse i frikësohesh tradhëtisë së ndonjë populli armik me të cilin ke marrëveshje paqeje, duke parë shenja të tradhtisë në veprat dhe lëvizjet e tij, atëherë shpalli luftë atij, por çoja lajmin e prishjes së marrëveshjes para se t’i luftosh, duke i sqaruar se prishja e marrëveshjes erdhi për shkak të veprës dhe tradhëtisë tuaj, dhe kështu të jeni njësoj në përgatitjen për luftë, si ju edhe ata, dhe të jesh i pastër nga akuzimi për tradhti dhe shkelje të marrëveshjes.
[16] Allahu nuk i do ata që i thyejnë marrëveshjet duke tradhtuar; duke sulmuar befasisht dhe pa paralajmërim atë popull me të cilin ke bërë marrëveshje paqeje, dhe i cili nuk e pret sulmin nga ti apo tradhtinë tënde duke ndihmuar dhe përkrahur një palë të tretë armike të popullit me të cilin ke marrëveshje. Allahu nuk do asnjë lloj tradhtari pa përjashtim.
[17] Kurrë nuk mund të shpëtojnë dhe t’ia mbathin nga Ne; por Allahu me urtësinë e Tij absolute i afatizon ata dhe nuk ua shpejton ndëshkimin në dynja; d.m.th. nuk i zbret dënimin e vdekjes menjëherë, por e shtyn atë deri në një afat të caktuar.
[18] Kundër atyre që mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, me të cilët keni marrëveshje paqeje, por që e prishin atë me tradhtinë e tyre.
[19] Çdo lloj arme dhe force ushtarake që të keni mundësi ta zotëroni.
[20] Prej atyre armiqve që i dini dhe i njihni që janë armiqtë tuaj të hapur.
[21] Armiq të tjerë që nuk e kanë shfaqur ende armiqësinë e tyre ndaj jush, ose që do të vijnë më pas, dhe të cilët ju nuk i njihni; ose armiqtë tuaj prej xhinëve, të cilët ju nuk i njihni dhe nuk i shihni, por Allahu i sheh dhe i njeh mirë, sepse Ai i ka krijuar; Thuhet se hingëllima e kalit i tmerron xhinët. [Taberiu].
[22] Çdo pasuri që shpenzoni për të përgatitur ushtrinë muslimane, për blerjen e armëve apo mjeteve të luftës, për mbajtjen e ushtrisë dhe për çdo shpenzim që lidhet me xhihadin në rrugë të Allahut, qoftë e vogël apo e madhe, Allahu do jua kompensojë atë pasuri në dynja dhe do jua ruajë gjithashtu për tju shpërblyer me të në botën tjetër në mënyrën më të mirë; dhe juve nuk do tju bëhet aspak padrejtësi, sepse është Zoti juaj Ai që e premton këtë kompensim dhe shpërblim.
[23] Duke shfaqur dëshirën për t’u futur në Islam, ose duke paguar haraçin, ose duke treguar se i përmbahen plotësisht marrëveshjes së paqes që keni me ta.
[24] Mbështetju Allahut dhe lërja Atij në dorë çështjen tënde, me bindjen se Allahu do të të mjaftojë.
[25] Dëgjon gjithçka dhe di gjithçka që fsheh secila palë kundrejt palës tjetër, dhe nëse ka qëllim t’i përmbahet marrëveshjes apo jo; dhe sigurisht që do të mbrojë dhe ndihmojë palën besimtare.
-184-
- Por, nëse ata synojnë të të mashtrojnë – ty të mjafton Allahu (si mbrojtës).[1] Është Ai që të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët;[2]
- Dhe i bashkoi zemrat e tyre.[3] Sikur të shpenzoje të gjithë pasurinë e botës, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ata.[4] Vërtet, Ai është Plotfuqishëm, i Urtë.[5]
- O i Dërguar! Allahu të mjafton ty dhe çdokujt që të pason prej besimtarëve.[6]
- O i Dërguar![7] Nxiti besimtarët për luftë![8] Nëse nga ju janë njëzet (burra) të qëndrueshëm,[9] ata do të mundin dyqind;[10] E nëse nga ju janë njëqind, ata do të mundin një mijë nga ata që mohuan, ngase ata janë njerëz që nuk kuptojnë.[11]
- Tani, Allahu ju ka bërë lehtësim, ngaqë e di se në mesin tuaj ka dobësi.[12] Kështu, nëse nga ju janë njëqind të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind dhe, nëse nga ju janë një mijë, me vullnetin e Allahut,[13] ata do të mundin dy mijë (armiq). Allahu është me të qëndrueshmit.[14]
- Asnjë të dërguari nuk i takon të ketë robër lufte,[15] derisa të shkaktojë masakër (mbi armiqtë e Allahut) në Tokë.[16] Ju dëshironi pasuritë e përkohshme të kësaj bote,[17] kurse Allahu dëshiron botën tjetër.[18] Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[19]
- Sikur të mos ishte një dekret i mëparshëm nga Allahu,[20] do t’ju godiste një dënim i madh për atë që morët.[21]
- Pra, hani nga ajo që keni zënë plaçkë në luftë,[22] si të lejuar dhe të mirë,[23] dhe kini frikë Allahun![24] Vërtet, Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[25]
[1] Allahu të mjafton ty dhe të mbron nga tradhtia e tyre, sepse Ai do ta lartësojë fenë e Tij mbi të gjitha fetë, dhe fjalën e Tij mbi çdo fjalë të mohuesve e idhujtarëve.
[2] Të ka ndihmuar me fitoren e Tij kundër armiqve dhe me besimtarët e Medines – Ensarët.
[3] Allahu i bashkoi zemrat e besimtarëve të dy fiseve Medinase: Eus dhe Hazraxh, të cilët ishin në armiqësi të ashpër dhe të vjetër me njëri-tjetrin.
[4] Edhe sikur të shpenzojë të gjithë pasuritë e botës, o Muhamed, nuk do të mund të bashkoje mes zemrave të tyre për shkak të armiqësisë së madhe që kishin me njëri-tjetrin, por Allahu i zbuti zemrat e tyre dhe i bashkoi ata, që t’i bënte përforcim dhe fuqi për ty kundër armiqve të tu.
[5] Allahun nuk e mposht asgjë dhe caktimin e Tij nuk e kthen asgjë; Vendimi i Tij zbatohet në krijesat e Tij me Urtësinë e Tij absolute; prandaj mbështetu tek Ai dhe ki besim tek Ai.
[6] O Muhamed, i bëni ballë armikut tuaj, sepse Allahu do ju sigurojë prej tyre dhe do ju japë fitoren kundër tyre, pavrësisht numrit të tyre të madh dhe numrit tuaj të vogël.
[7] O Muhamed!
[8] Nxiti dhe jepu kurajë besimtarëve për të luftuar armiqtë tuaj prej idhujtarëve e mohuesve.
[9] Të qëndrueshëm kur të përballen me armikun, të guximshëm dhe me besim të fortë, që i mbështeten Allahut dhe nuk tremben nga armiku.
[10] Nga ushtria armike; pra në raportin 1 me 10; 1 ushtar besimtar kundër 10 ushtarëve mosbesimtarë.
[11] Sepse idhujtarët dhe mohuesit nuk luftojnë duke shpresuar ndonjë shpërblim nga Allahu, dhe nuk e kuptojnë as nuk e dinë se çfarë shpërblimi ka përgatitur Allahu për dëshmorët që vriten në rrugën e Tij, në botën tjetër.
[12] Në raportin një me dhjetë, ka dobësim në rradhët tuaja dhe nuk mund ta përballoni, kështu që Allahu ju bëri lehtësim, duke e zbritur raportin në 1 me 2.
[13] Me dëshirën e Allahut dhe ndihmën e Tij.
[14] Të qëndrueshmit dhe të durueshmit përballë armiqve të tyre dhe armiqve të Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Allahut dhe duke kërkuar ndihmën dhe fitoren nga Ai. Qëllimi i këtyre ajeteve është se në fillim të Islamit nuk i lejohej besimtarëve t’i kthenin shpinën luftës dhe të largoheshin nga fushëbeteja përveç nëse numri i tyre ishte më pak se 1/10 e numrit të armiqëve, kurse më pas Allahu e zbriti raportin në 1 me 2, pra nëse numri i besimtarëve është sa gjysma e numrit të armiqve, atyre nuk u lejohet të largohen nga beteja, e nëse numri i ushtrisë armike është më i madh se dyfishi i ushtrisë besimtare, atëherë besimtarëve u lejohet të tërhiqen nga beteja me sa më pak humbje të jetë e mundur.
[15] Nuk i takon t’i mbajë robër armiqtë e tij prej idhujtarëve që i zë në luftë, por në këtë rast duhet t’i vriste.
[16] Deri sa armiqtë e tyre t’u kenë frikën dhe të kenë marrë mësim nga vrasja e madhe që ushtria besimtare u bën atyre. Ajeti është qortim nga Allahu për të Dërguarin e Tij dhe besimtarët në ditën e Bedrit, kur ata zunë rob një numër të madh të armiqve idhujtarë dhe i mbajtën me qëllimin e lirimit me shpërblim apo me pagesë, ndërkohë që mendimi i Umer ibën el Hattabit (radiallahu anhu) ishte që të vriteshin, dhe kjo ishte ajo që duhet të bëhej me robërit e luftës, të cilët luftonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe donin të shuanin dritën e Allahut me shpatën e tyre; e jo të mbaheshin me qëllimin e lirimit me pagesë, pra duke synuar një fitim material të vogël, nëse do krahasohej me tmerrin që do i futej armiqve me vrasjen e tyre, dhe kështu nuk do të guxonin t’i luftonin besimtarët në të ardhmen.
[17] Synoni të arrini diçka nga pasuria e kësaj bote në këmbim të robërve të luftës, që i zutë në Bedër.
[18] Allahu dëshiron për ju stolitë e botës tjetër dhe ato që ka përgatitur për besimtarët dhe miqtë e Tij në kopshtet e xhenetit – me vrasjen e armiqve të Allahut dhe masakrimin e tyre në tokë, dhe jo me mbajtjen rob të tyre. Ajo që dëshiron Allahu është padyshim më e mirë për ju, më e qëndrueshme dhe më e lartë, si në këtë botë edhe në botën tjetër; sepse me masakrimin e tyre ju do t’i fusni frikën armikut që të mos e çojë në mëndje luftimin tuaj në të ardhmen, dhe kështu do të ngrihet Fjala e Allahut dhe Feja e Tij, dhe ju do të keni shpërblimin e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër.
[19] Nëse ju dëshironi botën tjetër, patjetër që do ta mundni armikun tuaj, sepse Allahu është i Plotfuqishëm dhe nuk mundet kurrë, dhe Ai është i Urtë në rregullimin e çështjeve të krijesave të Tij.
[20] Caktimi i Allahut dhe dekreti për lejimin e marrjes dhe ndarjes së plaçkës së luftës mes luftëtarëve; dhe se Allahu ka caktuar gjithashtu se nuk çon në humbje asnjë popull pas udhëzimit të tyre deri sa t’ua bëjë të qartë se çfarë gjërave duhet t’iu ruhen; dhe se Allahu nuk dënon askënd që merr pjesë në një ngjarje si ajo e Bedrit përkrah të Dërguarit të Allahut, me qëllim të ngritjes së fesë së Allahut.
[21] Për shkak të mbajtjes së robërve të luftës me qëllim të lirimit të tyre me shpërblim. Në një hadith thuhet: “Sikur të zbriste dënimi i ditës së Bedrit, nuk do të shpëtonte prej tij askush tjetër përveç Umerit.” – sepse vetëm Umeri ishte kundër mbajtjes së robërve dhe sugjeroi vrasjen e tyre.
[22] Nga pasuritë e armiqve tuaj idhujtarë e mohues, që i zini plaçkë lufte.
[23] Allahu ia ka bërë plaçkën e luftës të lejuar popullit musliman, kurse popujt e të gjithë profetëve të mëparshëm e kanë pasur të ndaluar plaçkën e luftës, dhe nuk u lejohej asgjë nga plaçka e armiqve që ata luftonin.
[24] Kini frikë Allahun nga përsëritja e të njëjtit gabim: që të bëni diçka që lidhet me fenë tuaj, pa ju ardhur sqarimi nga Allahu se çfarë duhet të bëni. Dhe kini frikë Allahu në të gjitha çështjet tuaja, si falënderim ndaj Tij për mirësitë që ju ka dhënë.
[25] Allahu e fal atë që i kthehet Atij me pendim, dhe i fal të gjitha gjynahet atij që nuk i bën shok Allahut; dhe Ai është Mëshirëplotë me ju, prandaj jua lejoi plaçkën e luftës dhe e bëri atë hallall dhe fitim të mirë për ju; dhe nga mëshira e Tij, nuk i dënon ata që i kërkojnë falje me pendesë.
-185-
- O i Dërguar! Thuaju robërve të luftës që gjenden në duart tuaja: “Nëse Allahu di ndonjë të mirë në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka më të mirë nga ajo që ju është marrë[1] dhe do t’ju falë.”[2] Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[3]
- Por nëse kanë qëllim të të tradhtojnë – ata e kanë tradhtuar Allahun më parë,[4] prandaj Ai jua dha fitoren ndaj tyre.[5] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[6]
- Me të vërtet, ata që besuan,[7] mërguan[8] dhe luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut; dhe ata që strehuan e ndihmuan[9] – këta janë miq të njëri-tjetrit.[10] Ndërsa ata që besuan por nuk mërguan – ju nuk keni ndonjë përgjegjësi ndaj tyre, derisa të mërgojnë.[11] Por nëse ata kërkojnë ndihmë nga ju për çështjen e fesë, atëherë e keni detyrim t’i ndihmoni, përveç nëse është kundër një populli me të cilin keni marrëveshje.[12] Allahu e sheh mirë atë që veproni.[13]
- Kurse ata që mohuan[14] janë miq të njëri-tjetrit.[15] Nëse nuk veproni siç jeni urdhëruar, do të ketë trazira në Tokë dhe shkatërrim të madh.[16]
- Ata që besuan, mërguan dhe luftuan në rrugën e Allahut;[17] dhe ata që strehuan dhe ndihmuan[18] – këta janë besimtarët e vërtetë;[19] për ta ka falje dhe furnizim bujar.[20]
- Edhe ata që besuan më pas, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju – ata janë prej jush.[21] Por, të afërmit prej gjaku kanë më shumë të drejtë ndaj njëri-tjetrit (në trashëgimi) në Librin e Allahut.[22] Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[23]
[1] Nëse Allahu di se në zemrat tuaja ka besim dhe se ju e keni pranuar vërtet Islamin, do ju japë diçka shumë më të mirë se shpërblimi që paguat për lirinë tuaj. Ky ajet ka zbritur për robërit e luftës së Bedrit, mes të cilëve ishte edhe El Abas ibën Abdul Muttalib, xhaxhai i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), i cili megjithëse shfaqi Islamin, muslimanët morën shpërblesën e lirimit të tij, gjë e cila e mërziti shumë atë; atëherë Allahu zbriti këtë ajet, për ta qetësuar dhe për t’i dhënë kurajë atij dhe të tjerëve si ai, që të hynin tërësisht në Islam. Allahu e përmbushi premtimin e Tij, dhe Abasi (radiallahu anhu) dhe të tjerë që ishin si ai, rob lufte në Bedër, arritën të kenë shumë pasuri pas kësaj, madje edhe vetë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i dha atij pasuri të madhe kur i erdhi një plaçkë lufte, nga pjesa që i takonte të afërmve të të dërguarit prej saj.
[2] Do tju falë nga dënimi për krimin tuaj kur ngritët armën kundër të Dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij, dhe për mohimin që ju i bëtë Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
[3] Allahu ia fal të gjithë atyre që kthehen tek Ai me pendim, dhe i mëshiron e nuk i dënon ata pas pendimit të tyre.
[4] Nëse robërit e luftës së Bedrit prej idhujtarëve kurashit kanë qëllim të të tradhtojnë më pas, ndërkohë që gjatë qëndrimit si robër, ata shfaqën Islamin, dije o Muhamed, se Ata kanë tradhtuar Allahun që para luftës së Bedrit, duke i bërë shok Atij dhe duke e mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
[5] Në luftën e Bedrit.
[6] Allahu e di mirë atë që thonë ata me gjuhët e tyre dhe atë që fshehin në zemrat e tyre, dhe Ai është i Urtë në rregullimin e çështjes së tyre dhe të gjitha krijesave të Tij.
[7] Që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).
[8] Mërguan me fenë e tyre, për hir të Allahut. Lanë shtëpitë dhe vendin e tyre për të mbajtur dhe zbatuar fenë e Allahut, Islamin.
[9] Ensarët, banorët e Medines, të cilët strehuan të Dërguarin e Allahut dhe mërgimtarët që ishin bashkë me të, dhe të cilët i ndihmuan ata në luftën kundër armiqve të tyre dhe të Allahut prej idhujtarëve të Mekes dhe të tjerë.
[10] Këto dy grupe – mërgimtarët e Mekes (muhaxhirët) dhe ndihmuesit e Medines (ensarët) – janë miq dhe mbrojtës të njëri-tjetrit kundër çdo pale të tretë armike; janë një dorë e vetme kundër mohuesve të Allahut; dhe janë vëllezër të njëri-tjetrit dhe jo të të afërmve të tyre mosbesimtarë.
[11] Ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, por nuk emigruan nga vendi dhe populli i tyre idhujtar, dhe nuk e lanë vendin e mohimit për t’iu bashkuar vendit të Islamit, nuk është detyrim për ju që keni emigruar mbrojtja e tyre dhe aleanca me ta, deri sa të emigrojnë dhe të vijnë në shtetin Islam.
[12] Nëse ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, por që nuk emigruan, ju kërkojnë ndihmë për çështje të fesë, kundër armiqve të tyre dhe tuaj prej idhujtarëve e mohuesve, atëherë ju, o besimtarë emigrues dhe ensarë, e keni detyrë t’i ndihmoni, përveç nëse ata ju kërkojnë ndihmë për të luftuar kundër një populli me të cilin keni marrëveshje paqeje, atëherë nuk duhet t’i ndihmoni.
[13] Allahu e sheh mirë atë që veproni në lidhje me ato që ju ka urdhëruar e që ju ka ndaluar, kështu që veproni ashtu si doni që Ai t’ju shohë.
[14] Që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
[15] Janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit, kështu që ju, o besimtarë, nuk duhet t’i merrni për miq e mbrojtës ata, sepse miqtë tuaj janë vetëm Allahu dhe besimarët.
[16] Nëse nuk veproni si ju ka urdhëruar Allahu, duke e lidhur miqësinë dhe ndihmëm e njëri-tjetrit mbi bazën e fesë dhe besimit, do të ketë trazira dhe shkatërrim të madh në Tokë; sepse e vërteta do të ngatërrohet me të pavërtetën, besimtarët do të përziehen me mosbesimtarët, disa çështje madhore fetare do të humbin, siç është xhihadi në rrugë të Allahut, emigrimi për hir të fesë së Allahut, e shumë çështje të tjera madhore të fesë që dallojnë besimtarët nga mosbesimtarët dhe vendin Islam nga vendi mohues.
[17] Muhaxhirinët e Mekes që emigruan në Medine, dhe të gjithë ata që emigrojnë për të ruajtur fenë e tyre, në çdo kohë apo vend.
[18] Ensarët e Medines që strehuan dhe ndihmuan të Dërguarin e Allahut bashkë me muhaxhirët e Mekes; dhe të gjithë ata që strehojnë e ndihmojnë besimtarët që emigrojnë dhe lënë vendin e tyre për shkak të fesë.
[19] Këta janë besimtarë të vërtetë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sepse këta i japin përparësi Allahut dhe të Dërguarit të Tij para çdo gjëje tjetër; kurse ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, por nuk emigrojnë nga vendi i mohimit në vendin e Islamit, dhe qëndrojnë në mesin e idhujtarëve e mohuesve, nuk e arrijnë gradën e besimtarëve të vërtetë që ka veçuar Allahu.
[20] Vetëm për besimtarët e vërtetë ka falje të gjynaheve dhe furnizim bujar nga Allahu në këtë botë dhe në botën tjetër.
[21] Ata që besuan pas sqarimit të kushtit të miqësisë dhe mbrojtjes së besimtarëve me njëri-tjetrin, që është emigrimi nga vendi idhujtar e mohues në vendin Islam, dhe që emigruan e luftuan përkrah besimtarëve, ata janë prej grupit të besimtarëve dhe miqve të tyre, të cilëve u takon mbrojtja, miqësia dhe përkrahja e besimtarëve.
[22] Të afërmit prej gjaku kanë më shumë të drejtë në ndarjen e trashëgimisë mes njëri-tjetrit, dhe jo ndarjen e saj në bazë të vëllazërisë fetare, siç ndodhi në fillim të Islamit, kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) vëllazëroi mes Muhaxhirëve Mekas dhe Ensarëve Medinas me një vëllazëri të posaçme, ndryshe nga vëllazëria Islame e përgjithshme, sa që në bazë të vëllazërisë së posaçme, Muhaxhirët dhe Ensarët e ndanin gjithçka me njëri-tjetrin, edhe trashëgiminë, deri sa Allahu zbriti këtë ajet, dhe urdhëroi që trashëgimia të ndahet vetëm në bazë të lidhjes së gjakut, sepse kështu e ka vënë ligj Allahu dhe e ka caktuar e shënuar që para krijimit të gjithësisë në Librin El Leuhu el Mahfudh që gjendet tek Ai.
[23] Dhe Ai e di mirë çfarë ligjesh janë më të përshtatshme për ju, kështu që i vendos ato me dijen dhe urtësinë e Tij absolute.