Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Elif, Lam, Ra! Këto janë vargjet e Librit të qartë.[1]
  2. Ne e kemi zbritur këtë Kuran në gjuhën arabe, në mënyrë që ju të kuptoni.[2]
  3. Ne të tregojmë ty (Muhamed) historitë më të bukura me shpalljen e këtij Kurani, ndonëse para tij, ti nuk dije asgjë prej tyre.[3]
  4. Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë planete, Diellin dhe Hënën – i pashë të më përuleshin në sexhde!”[4]

[1] “Elif, Lam, Ra!” Këto janë germa prej germave të alfabetit arab, nga të cilat përbëhet edhe Kurani. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj. Këto janë vargjet e Kuranit, Librit të qartë, i cili zbardh të vërtetën nga e pavërteta, dhe i cili është krejtësisht i qartë për atë që e lexon me vëmendje dhe zemër të hapur atë.

[2] Ne e kemi zbritur Kuranin në gjuhën arabe, në mënyrë që ju, o arabë, ta kuptoni atë dhe qëllimet e tij, dhe të veproni sipas udhëzimeve të tij. Zgjedhja e gjuhës arabe për të qenë gjuha e Kuranit, padyshim se ka urtësi të mëdha që i di Allahu, disa nga të cilat edhe mund të numërohen nga njerëzit, por më kryesorja duhet të jetë fakti se gjuha arabe është gjuha më domethënëse, më e qartë, më kuptimplotë, më e qëndrueshme dhe më e rregullt dhe e thjeshtë, qoftë në gramatikë, sintaksë, morfologji, letërsi artistike, etj.

[3] Me shpalljen e këtij Kurani, Ne të tregojmë ty, o i Dërguar, historitë më të mira, më të bukura dhe të vërteta, që kanë ndodhur në popujt e mëparshëm, dhe një nga më të bukurat dhe më të mirat prej tyre është edhe historia e Jusufit (alejhis selam), që do ta tregojmë në këtë sure; ndonëse para se t’i shpallnim këto, ti nuk ke pas ditur asgjë prej tyre, o Muhamed!

[4] Këtu do të tregojmë për historinë e Jusufit, birit të Jakubit, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Historia fillon kur Jusufi ishte i vogël dhe pa një ëndërr të cilën ia tregoi babait të vet, Jakubit (alejhis selam): “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë planete, Diellin dhe Hënën, të përulur në sexhde me kokën në tokë para meje!” Kjo ëndërr ishte një përgëzim për vendin dhe gradën e lartë që do të arrinte Jusufi (alejhis selam) në këtë botë dhe në botën tjetër. Interpretimi i ëndërrës do të bëhet nga fundi i sures dhe njëkohësisht nga fundi i historisë së Jusufit (alejhis selam). Theksojmë këtu se në Kuran është përmendur fjala “Keukeb” që do thotë “planet”, dhe jo “yll”, siç është përkthyer në shumicën e përkthimeve të Kuranit; dhe ndonëse fjala “yll” mund të përdoret edhe për planetet, të cilët nga Toka duken si yje, por planetet ndryshojnë shumë nga yjet, për faktin se yjet janë trupa qiellor si Dielli, por shumë larg Tokës, kurse planetet janë trupa qiellor të ngjashëm me Tokën, të cilat e marrin dritën dhe ngrohjen nga Dielli. Ky dallim duhet të bëhet për të zbuluar të vërteta të tjera shkencore që mund të lidhen me ajetin. Sipas ëndërrës së Jusufit, njëmbëdhjet planetet ishin vëllezërit e tij, Dielli ishte babai (Jakubi) kurse Hëna ishte nëna e tij, siç do e shohim nga fundi i sures.

-235-


  1. Ai (Jakubi) i tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë komplot kundër teje, sepse vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.[1]
  2. Kështu, Zoti yt do të të zgjedhë ty, do të të mësojë shpjegimin e ëndrrave dhe do të plotësojë dhuntinë e Tij ndaj teje dhe ndaj familjes së Jakubit, ashtu si e ka plotësuar edhe më parë ndaj etërve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”[2]
  3. Vërtet, te Jusufi dhe vëllezërit e tij ka prova për ata që pyesin.[3]
  4. Kur ata (vëllezërit) thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur te babai ynë se sa ne, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Me të vërtetë, babai ynë është në gabim të qartë.[4]
  5. Vriteni Jusufin ose braktiseni atë në një vend të largët, që fytyra (vëmendja) e babait tuaj të jetë vetëm për ju; dhe pas kësaj, të bëheni njerëz të mirë.”[5]
  6. Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin, por hidheni në fund të pusit, që ta marrë ndonjë karvan – nëse patjetër doni t’i bëni diçka.”[6]
  7. Ata thanë: “O babai ynë! Përse nuk na e beson Jusufin, ndërsa ne jemi vërtetë këshillues të tij?![7]
  8. Dërgoje nesër me ne që të argëtohet dhe të luajë; dhe ne sigurisht që do ta ruajmë atë.”[8]
  9. Ai (Jakubi) tha: “Mua më trishton shumë që ta merrni me vete dhe kam frikë se mos e ha ujku, ndërkohë që ju nuk e keni mendjen tek ai.”[9]
  10. Ata thanë: “Nëse atë e ha ujku, ndërkohë që ne jemi një grup i fortë, atëherë me të vërtetë, do të ishim të humbur.”[10]

[1] Jakubi (alejhis selam) i tha birit të tij, Jusufit, kur ky i tregoi ëndërën që kishte parë: “Mos ua trego vëllezërve të tu ëndërrën që ke parë, që të mos u hyjë zilia, dhe pastaj të bëjnë ndonjë kurth kundër teje, sepse vërtet, shejtani është armik i hapët i njeriut, dhe ai mund t’u çojë atyre në mendje gjëra të tilla dh ata mund ta pasojnë atë të shtyrë nga zilia e tyre.” Jakubi (alejhis selam) ia tha këtë fjalë Jusufit, sepse e kishte vënë re më parë që ata kishin zili dhe xhelozi ndaj tij.

[2] Jakubi (alejhis selam) vazhdon t’i thotë djalit të tij, Jusufit (alejhis selam): “Kështu si bëri Zoti yt që të shohësh këtë ëndërr, po kështu do të të zgjedhë që të jesh i dërguar i Tij, do të të mësojë interpretimin e ëndërrave që njerëzit i shohin gjatë gjumit, dhe do të plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje me dhënien e profetësisë, dijes, urtësisë, begatisë dhe pozitës në këtë botë; dhe ndaj familjes së Jakubit prej pasuesve të tij dhe të fesë së tij, qofshin pasardhësit e tij apo të tjerë; ashtu si e ka plotësuar mirësinë e Tij edhe më parë ndaj etërve dhe paraardhësve të tu: Ibrahimit, të cilin Allahu e zgjodhi për njeri të dashur për Të, dhe e shpëtoi nga zjarri, dhe Is’hakut, për të cilin Allahu zbriti një kurban të madh nga qielli në vend të bërjes së tij kurban. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe e di mirë se ku e vendos dhe kujt ia dhuron profetësoinë dhe mirësinë e Vet, dhe Ai është i Urtë në rregullimin dhe drejtimin e të gjitha çështjeve.

[3] Në historinë e Jusufit me vëllezërit e tij ka mësime dhe prova që vërtetojnë fuqinë dhe urtësinë e Allahut, për këdo që pyet dhe kërkon të dijë për atë histori. Këtu është për qëllim në rradhë të parë i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), të cilit Allahu kërkon t’i thotë që të mos dëshpërohet nga dëmtimi dhe injorimi që i ndodh nga njerëzit e tij të afërm prej idhujtrëve kurashit, duke i kujtuar se Jusufin (alejhis selam) donin ta vrisnin dhe e shitën vetë vëllezërit e tij, vetëm për shkak të xhelozisë dhe zilisë.

[4] Kur vëllezërit e Jusufit, që ishin me një babë por me nëna të ndryshme, thanë mes njëri-tjetrit: “Jusufi dhe vëllai i tij prej nëne dhe babe (Benjamini) janë më të dashur se ne te babai ynë, dhe ai i privilegjon ata mbi ne, ndërkohë që ne jemi grup më i madh në numër (ishin 10 vëllezër, përveç Jusufit dhe Benjaminit). Vërtet, babai ynë është në gabim të qartë për këtë privilegjim të tyre mbi ne, pa pasur asnjë shkak të ditur nga ne.

[5] Vëllezërit e Jusufit vazhdonin të diskutonin me njëri-tjetrin, dhe thanë: “Vriteni Jusufin, ose hidheni dhe braktiseni në një tokë të largët, dhe kështu, vëmendja dhe preokupimi i babait tuaj do të përqëndrohet vetëm tek ju, sepse Jusufi e ka tërhequr të gjithë vëmendjen e tij; dhe më pas, do të pendohemi për vrasjen e Jusufit apo braktisjen e tij, dhe mëkatin që bëjnë me këtë vepër para Allahut, dhe kështu do të bëhemi njerëz të mirë.

[6] Njëri nga vëllezërit e Jusufit tha: “Nëse patjetër doni të bëni diçka me Jusufin, atëherë hidheni në ndonjë pus ku kalojnë karvanet tregtare për të marrë ujë, dhe kështu, ndonjëri prej tyre do e marrë Jusufin me vete dhe do e largojë atë nga ju, pa qenë nevoja që ta vrisni.” – Dhe ashtu vendosën të bëjnë.

[7] Pasi vendosën ta ndajnë Jusufin nga babai, ata i thanë babait të tyre, Jakubit (alejhis selam): “Përse nuk na e beson Jusufin, ndërkohë që ne e këshillojmë, e mësojmë dhe kujdesemi për të si vëllanë tonë më të vogël?!”

[8] Dërgoje të vijë nesër me ne kur të dalim të kullosim bagëtitë, që të vrapojë, të kënaqet e të luajë në shkretëtirë, dhe sigurisht që ne do e ruajmë atë nga çdo gjë e keqe për të cilën ti ke frikë.

[9] Jakubi (alejhis selam) i tha bijëve të tij: “Mua më trishton shumë dhe më dhemb shpirti që ta merrni Jusufin me vete në shkretëtirë, dhe përveç kësaj, kam frikë se mos e ha ujku, ndërkohë që ju jeni të zënë me bagëtitë dhe nuk e keni mendjen tek ai.”

[10] Vëllezërit e Jusufit i thanë babait të tyre: “Nëse Jusufin e ha ujku, ndërkohë që ne jemi një grup i fortë – dhjetë vëllezër – atëherë vërtet që do të ishim të humbur dhe të paaftë, dhe nga ne nuk do të shpresohej ndonjë gjë e mirë dhe e hajrit.” Atëherë, Jakubi (alejhis selam) i la ata që ta merrnin Jusufin me vete në shkretëtirë ku shkonin për të kullotur bagatitë.

-236-


  1. Kur e morën atë (Jusufin) me vete, ranë dakord që ta hidhnin në fund të një pusi, dhe Ne i shpallëm atij (Jusufit): “Ti do t’i informosh ata për këtë vepër të tyre, ndërsa ata nuk do e kuptojnë.”[1]
  2. Dhe në mbrëmje, ata erdhën te babai i tyre, duke qarë.[2]
  3. Thanë: “O babai ynë, ne shkuam të garojmë me njëri-tjetrin, kurse Jusufin e lamë te sendet tona, dhe një ujk e hëngri atë. Por ti nuk do të na besoje, edhe sikur të ishim të sinqertë.”[3]
  4. Dhe sollën këmishën e tij të njollosur me gjak të rremë. Ai (Jakubi) tha: “Jo, përkundrazi, vetet tuaja ju kanë joshur të bëni diçka, por do të duroj me durim të mirë! Allahut i kërkohet ndihmë kundër asaj që përshkruani.”[4]
  5. Dhe (te pusi) erdhi një karvan. Ata dërguan ujëmbartësin e tyre, i cili lëshoi kovën e tij (në pus), dhe më pas thirri: “Oh, sa mirë! Qenka një djalë!” Dhe e fshehën atë si mall, por Allahu e dinte mirë çfarë bënin ata.[5]
  6. Ata e shitën atë (Jusufin) me një çmim të ulët, veç disa monedha të pakta; dhe me të u bënë nga asketët.[6]
  7. Ai që e bleu atë (Jusufin), nga Egjipti, i tha gruas së vet: “Siguroi vend të denjë; ndoshta do të na sjellë dobi, ose mund ta birësojmë!” Kështu i bëmë vend Jusufit në tokë; dhe që t’i mësonim atij nga interpretimi i ëndrrave. Allahu mbizotëron në çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[7]
  8. Dhe kur ai (Jusufi) arriti fuqinë e plotë, Ne i dhamë atij autoritet dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët.[8]

[1] Kur vëllezërit e Jusufit e morën Jusufin me vete në shkretëtirë, ranë dakord që ta hidhnin në fund të një pusi, dhe ashtu bënë. Pasi i hoqën këmishën dhe e rrahën e u tallën me të, e hodhën në fund të pusit, duke dashur që të mbytej e të vdiste, por Allahu e shpëtoi atë, dhe në atë gjendje të vështirë që ishte, Ai e qetësoi Jusufin duke i zbritur shpalljen që në atë moshë të vogël që ishte: “Ke për t’i informuar ata për këtë vepër të tyre pas një kohe, ndërsa ata nuk do e kuptojnë dhe nuk do e dinë identitetin tënd.”

[2] Pasi e hodhën Jusufin në pus dhe e lanë atje, vëllezërit e tij u kthyen në mbrëmje tek i ati, pa Jusufin, dhe bënin sikur qanin nga dhimbja dhe keqardhja për Jusufin.

[3] Vëllezërit e Jusufit i thanë babait të tyre: “Ne shkuam të garojmë me njëri-tjetrin, kurse Jusufin e lamë te rrobat dhe ushqimi ynë, në vend të sigurt, pa e harruar dhe pa e lënë vetëm veçse një kohë të shkurtër, por një ujk e hëngri atë. Gjithësesi, ti nuk do të na besosh ne, sepse nuk ke mendim të mirë për ne, madje edhe sikur të kishe mendim të mirë për ne më parë, tani nuk do të na besoje për shkak të dashurisë që ke për Jusufin.”

[4] Vëllezërit e Jusufit i sollën babait të tyre si provë për vdekjen e Jusufit, këmishën e tij, të cilën e kishin njollosur me gjakun e një qengji që kishin therur, por ajo këmishë u bë provë për gënjeshtrën e tyre, pasi Jakubi menjëherë e dalloi se nuk kishte pasur ujk, pasi që këmisha nuk ishte e shqyer, kështu që ai u tha atyre: “Nuk është ashtu si thoni ju, por përkundrazi, vetet dhe unet tuaja që ju urdhërojnë për keq bënë që t’ju duket e bukur vepra juaj e shëmtuar kundër Jusufit, kështu që e bëtë atë; por unë do të duroj me durim të mirë, pa iu ankuar askujt prej krijesave, dhe i kërkoj mbrojtje Allahut nga mundësia e të qënit e vërtetë ajo që ju përshkruani për Jusufin.

[5] Pasi Jusufi qëndroi në pus disa kohë, pranë pusit kaloi një karvan udhëtarësh që shkonin nga Medjeni në Egjipt. Ata dërguan shërbëtorin e tyre që mbarte ujin, të shkonte dhe të sillte ujë nga pusi, dhe ky shkoi dhe e hodhi kovën e tij në pus. Atëherë, Jusufi u fut në kovë dhe u kap te litari i saj, dhe kur ai e ngriti kovën, pa që nuk ishte ujë, por ishte një djalë, dhe nga gëzimi se gjeti një skllav që kishte çmim të shtrenjtë sipas cilësive që pa tek ai, thirri me zë të lartë: “Oh, sa mirë! Qenka një djalë!” Vëllezërit e Jusufit, që ishin aty afër, e dëgjuan dhe shkuan e i thanë se ishte skllavi i tyre i arratisur, kurse Jusufi heshti dhe nuk tha gjë nga frika se mos e vrisnin. Atëherë, vëllezërit e shitën Jusufin me një çmim të papërfillshëm te zotëriu i atij që e nxori nga pusi, dhe ky i fundit e mbajti atë të fshehur nga pjesa tjetër e udhëtarëve të karvanit që të mos e ndanin me ta, sikur të ishte mall që e blenë nga të zotët e pusit dhe jo njeri; por Allahu e dinte shumë mirë se çfarë po bënin të gjithë ata me Jusufin, por Ai kishte përgatitur një plan dhe kishte caktuar diçka me urtësinë dhe dijen e Tij, dhe secili do të merrte atë që meritonte për veprën e bërë në kohën e duhur.

[6] Vëllezërit e shitën Jusufin me një çmim të ulët, të papërfillshëm, vetëm disa monedha argjendi, ndërkohë që një si ai vlente shumëfishin e tyre në monedha ari, duke u treguar asket me të, sikur nuk e donin pasurinë, por në fakt ajo që donin ishte ta hiqnin qafe dhe ta largonin nga babai i tyre, dhe kjo sepse ata nuk e dinin vendin dhe gradën që Jusufi kishte tek Allahu, se përndryshe nuk do e bënin këtë gjë.

[7] Kur karvani i udhëtarëve që blenë Jusufin, mbërriti në Egjipt, ata e shitën Jusufin si skllav, dhe atë e bleu Ministri i Egjiptit, i cili ishte përgjegjës për hambarët e Egjiptit. Këtij i pëlqeu Jusufi dhe iu fut në zemër dashuri për të, ndërkohë që nuk kishte fëmijë, kështu që i tha gruas së vet që t’i siguronte vend të denjë për të qëndruar dhe të kujdesej për të në mënyrën më të mirë, sepse mund të përfitonin prej tij dhe dijes së tij veçanërisht në llogari, sepse pa që kishte shumë dije në këtë fushë, ose ta birësonin si djalin e tyre, meqenëse nuk kishin fëmijë. Kështu, Allahu i bëri vend Jusufit në tokën e Egjiptit, dhe i mësoi atij interpretimin e ëndrrave, për të forcuar dhe ngritur vendin e tij në atë tokë. Allahu është mbizotërues i çështjes së Tij; vendimi i Tij përmbushet dhe askush e asgjë nuk mund ta anulojë apo shfuqizojë atë, por shumica e njerëzve nuk e dinë se e gjithë çështja është në Dorë të Allahut; dhe as vëllezërit e Jusufit as banorët e Egjiptit nuk e dinin se çfarë do të bënte Allahu me Jusufin dhe çfarë do të bëhej Jusufi me urdhrin e Allahut.

[8] Kur Jusufi arriti fuqinë e plotë fizike dhe pjekurinë mendore, midis moshës 18 dhe 33 vjeç, Allahu i dha atij profetësinë, autoritetin, mençurinë dhe diturinë në fusha të ndryshme. Kështu si shpërblyem Jusufin për shkak të bindjes ndaj Meje dhe mirësisë në zemrën e tij, duke i dhënë autoritet dhe dituri dhe duke i bërë dhe dhënë vend të lartë në Tokë, po kështu i shpërblejmë ata që veprojnë mirë, që më binden plotësisht dhe largohen nga ato që i kam ndaluar. Edhe pse ajeti përfshin të gjithë ata që veprojnë mirë në të gjitha çështjet e tyre, me sinqeritet për Hir të Allahut, duke arritur kështu gradën më të lartë të devotshmërisë “Muhsin – Punëmirë”, por qëllimi i drejtpërdrejtë është i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), të cilit Allahu i thotë se kështu si shpëtova Jusufin nga vëllezërit e tij dhe i dhashë vend të lartë në Tokë, po ashtu do të të shpëtoj edhe ty nga idhujtarët e popullit tënd, të cilët duan të keqen tënde, dhe do të jap vend të lartë në Tokë, pushtet, urtësi dhe dituri, sepse kështu i shpërblen Allahu punëmirët në urdhrat dhe ndalesat e Tij.

-237-


  1. Ajo, në shtëpinë e së cilës ai ishte, kërkoi ta joshte; i mbylli dyert dhe tha: “Eja tek unë!” Por ai tha: “Allahu më ruajt! Është zotëria im, i cili më siguroi vend të denjë! Me të vërtetë, të padrejtët nuk kanë kurrë sukses.”[1]
  2. Ajo e dëshiroi atë; edhe ai (Jusufi) e dëshiroi – sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet… Kështu, që të largonim prej tij të keqen dhe të shëmtuarën. Me të vërtetë, ai ishte nga robërit Tanë të zgjedhur.[2]
  3. Pastaj, që të dy vrapuan drejt derës dhe ajo ia shqeu këmishën nga mbrapa, ndërsa te dera ndeshën zotërinë (burrin) e saj. Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që synoi t’i bëjë keq familjes sate, përveç burgosjes ose një dënimi të dhembshëm?”[3]
  4. Ai (Jusufi) tha: “Ishte ajo që kërkoi të më joshte!” Një dëshmitar nga familja e saj dëshmoi: “Nëse këmisha e tij është shqyer nga përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai është nga gënjeshtarët.[4]
  5. Por, nëse këmisha e tij është shqyer nga mbrapa, atëherë ajo gënjen, kurse ai është nga të sinqertët.”
  6. Kur pa se këmisha e tij ishte shqyer nga mbrapa, ai (burri) tha: “Me të vërtetë, kjo është nga intrigat tuaja (femrave). Vërtet, intrigat tuaja janë të mëdha![5]
  7. Ti Jusuf, harroje këtë! Kurse ti (gruaja ime), kërko falje për mëkatin tënd, sepse vërtet, ti ishe fajtore.”[6]
  8. Disa gra në qytet thanë: “Gruaja e ministrit kërkon të joshë skllavin e vet. Dashuria për të i ka depërtuar cipën e zemrës. Vërtet, ne shohim se ajo është në humbje të qartë.”[7]

[1] Gruaja e ministrit, në shtëpinë e së cilës Jusufi jetonte, e lakmoi Jusufin dhe kërkoi ta joshte atë me të mirë dhe me të butë, kështu që mbylli dyert që të ishte vetëm me të dhe të mos hynte askush, pastaj i tha: “Eja tek unë!” për të kryer veprën e shëmtuar dhe tradhtinë. Por, ai u zmbraps dhe tha: “Allahu më ruajt nga kjo vepër që më fton, dhe që është tradhti e zotëriut tim, i cili më strehoi dhe më siguroi vend të denjë, e u soll mirë me mua! Unë nuk mund ta tradhtoj kurrë atë në familjen e tij, për të cilën më ka besuar! Vërtet, nuk shpëton dhe nuk ka sukses kurrë ai që bën padrejtësi dhe tradhti, të cilën nuk i takon ta bëjë.” Në fakt, kjo është sprova më e madhe që kaloi Jusufi me sukses, dhe e cila i ngriti atij vendin dhe gradën, dhe i solli të gjitha të mirat, dhe padyshim se kjo sprovë ishte më e madhe për të se sprova e vëllezërve që e hodhën në pus dhe që e shitën, sepse durimi që ai bëri në sprovën e tyre ishte durim i detyrueshëm, dhe nuk kishte ç’të bënte tjetër, kurse në këtë rast, durimi për moskryerjen e tradhtisë dhe veprës së shëmtuar e të ndaluar, ishte në zgjedhjen e tij, pasi që të gjitha kushtet ishin plotësuar që ai ta kryente atë vepër: ishte skllav që merrte urdhra nga zonja e shtëpisë ku jetonte, ishte beqar, i fortë dhe i pashëm, dhe ajo ishte gjithashtu e pashme, ishin vetëm dhe ajo mbylli edhe dyert njëra pas tjetrës, që të ishin të sigurtë dhe të mos e merrte vesh njeri se çfarë ndodhi mes tyre, dhe përveç kësaj, kur ai bëri rezistencë, ajo e kërcënoi me burgosje apo poshtërim; por pavarësisht të gjitha këtyre, dhe pavarësisht lakmisë dhe epshit njerëzor që gjendej te Jusufi (alejhis selam), ai e mposhti epshin dhe dëshirën e vetes së tij, dhe vendosi Allahun mbi gjithçka, atëherë Allahu i dha atij vendin më të lartë në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe e bëri historinë e tij më të bukurën e të gjitha historive, dhe vetë atë, më të bukurin e të gjithë njerëzve.

[2] Gruaja e ministrit e dëshiroi Jusufin dhe u drejtua drejt tij për kryerjen e veprës së shëmtuar; edhe Jusufi e dëshiroi atë në vetvete, sepse nuk kishte ndonjë problem fizik dhe ishte i rritur, dhe sikur të mos kishte parë një nga provat e Zotit të tij në to çaste, do ta kishte kryer veprën e shëmtuar; Prova që pa Jusufi thuhet se ishte fytyra e babait të tij, Jakubit (alejhis selam), i cili e qortonte, ose që e godiste mbi gjoks dhe doli prej tij epshi dhe dëshira; ose ëndrra që kishte parë në fillim të sures, ose shpallja që i erdhi kur ishte në pus; e rëndësishme që ai pa një provë nga Allahu. Allahu veproi kështu, që të largonte nga Jusufi të keqen e tradhtisë dhe të shëmtuarën e imoralitetit; sepse vërtet, Jusufi ishte nga robërit e pastër të Allahut, nga të zgjedhurit e Allahut me shpalljen e Tij, dhe nga të sinqertët në adhurimin e Allahut dhe Njësimin e Tij.

[3] Që të dy vrapuan drejt derës; Jusufi për të dalë dhe për të shpëtuar nga vepra e shëmtuar, kurse ajo për ta kapur dhe për të përmbushur dëshirën e saj, kështu që e kapi këmishën e tij nga pas, duke e tërhequr që të mos e linte të dilte, dhe ia shqeu atë; ndërkohë, te dera ndeshën burrin e saj, dhe ajo e lëshoi Jusufin dhe menjëherë tha: “Çfarë dënimi meriton dikush që synoi të prekte nderin e gruas tënde, përveç burgosjes ose një dënimi të dhembshëm?” Dhe nuk tha “dikush që e preku nderin e gruas sate”, për të shfajësuar veten dhe Jusufin njëkohësisht nga kryerja e veprës së shëmtuar; dhe po kështu nuk kërkoi vdekjen e tij, sepse e dinte që ishte ajo fajtore, dhe sepse vazhdonte ta dëshironte Jusufin.

[4] Jusufi u mbrojt kundër akuzës së padrejtë që i bëri gruaja e ministrit, duke thënë: “Ishte ajo që kërkoi të më joshte, dhe jo unë atë!” Atëherë, për të zbardhur të vërtetën, një dëshmitar nga vetë familja e saj, dëshmoi duke parë provat, dhe pikërisht këmishën e Jusufit që ishte grisur. Kështu, në mënyrë shumë logjike, ai tha se nëse këmisha do të ishte shqyer nga para, atëherë gruaja e ministrit thoshte të vërtetën, sepse në këtë rast ajo përpiqej për ta larguar sulmuesin e saj, dhe kështu që i shqeu këmishën nga para, kurse ai do të ishte gënjeshtar. Dhe në të kundërt, nëse këmisha do të ishte shqyer nga pas, kjo do të tregonte se Jusufi ishte përpjekur të largohej prej saj, kurse ajo e kishte sulmuar dhe tërhequr nga pas, deri sa i shqeu këmishën nga pas.

[5] Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, i tha gruas së vet: “Kjo gënjeshtër, me të cilën akuzove këtë djal të ndershëm dhe të sinqertë, është nga intrigat dhe kurthet tuaja, o gra, dhe vërtet, intrigat dhe kurthet tuaja janë të mëdha.”

[6] Zotëriu dhe burri i shtëpisë tha: “Ti Jusuf, harroje këtë muhabet, dhe mos e fol me askënd, që të mos përhapet. Kurse ti, gruaja ime, kërko falje për mëkatin tënd, sepse ishte ti fajtorja në kërkimin e joshjes së Jusufit dhe tentativës për kryerjen e veprës së shëmtuar me të!”

[7] Fjalët për këtë ngjarje arritën te disa gra të qytetit të Egjiptit, dhe ato floën me njëra-tjetrën, duke e qortuar gruan e ministrit, dhe thanë: “Gruaja e ministrit tenton të joshë skllavin e saj dhe kërkon nga ai që të kryejë vepër të turpshme me të! Dashuria për të i ka depërtuar perikardin (cipën e zemrës) dhe i ka hyrë brenda në zemër. Vërtet, ne e shohim atë që në këtë vepër të jetë në një humbje dhe gabim të qartë, që nuk duhet ta bëjë një zonjë si ajo!” Në realitet, kjo fjalë e tyre për gruan e ministrit ishte një kurth dhe një intrigë e atyre grave, me anë të cilës ato synonin të arrinin që gruaja e ministrit t’i mundësonte atyre të shihnin Jusufin, pas atyre fjalëve që ishin përhapur për bukurinë e tij dhe faktin që vetë gruaja e ministrit e dëshironte atë, dhe kështu ajo do të justifikohej për veprën e saj para atyre grave; prandaj Allahu e quan fjalën e tyre “intrigë” në ajetin në vijim.

-238-


  1. Kur dëgjoi për intrigën e tyre, ajo i ftoi ato, u shtroi një banket, i dha nga një thikë secilës prej tyre, pastaj tha (Jusufit): “Dil para tyre!” Kur e panë atë, ato u mahnitën nga bukuria e tij, saqë prenë duart dhe thanë: “I Përsosur është Allahu! Ky nuk është njeri; ky nuk është tjetër veçse një engjëll fisnik!”[1]
  2. Ajo tha: “Ja, ky është ai për të cilin më qortuat. Unë u përpoqa ta josh atë, por ai u mbrojt fort; dhe nëse ai nuk do të bëjë atë që i urdhëroj unë, medoemos, do të burgoset dhe do të jetë nga të poshtëruarit!”[2]
  3. Ai (Jusufi) tha: “Zoti im! Burgu është më i dashur për mua se ajo për të cilën më ftojnë ato. Dhe nëse Ti nuk e largon nga unë intrigën e tyre, unë mund të prirem drejt tyre dhe të bëhem nga injorantët.”[3]
  4. Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tij dhe ia largoi intrigën e tyre. Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[4]
  5. Pastaj, atyre iu shkoi në mendje, edhe pse i kishin parë provat (e pafajësisë), që ta burgosnin atë (Jusufin) për ca kohë.[5]
  6. Bashkë me të (Jusufin) hynë në burg edhe dy djem. Njëri prej tyre tha: “Unë pash në ëndërr sikur shtrydhja verë.” Kurse tjetri tha: “Unë pash në ëndërr sikur mbi kokë mbaja bukë, nga e cila hanin zogjtë. Na e trego interpretimin e këtyre ëndrrave, sepse me të vërtetë, ne shohim se ti je nga njerëzit e mirë.”[6]
  7. Ai (Jusufi) tha: “Nuk ka për t’ju ardhur ushqimi i rradhës, veçse unë do t’jua kem treguar interpretimin e ëndrrave tuaja para se t’ju vijë ushqimi. Kjo është prej asaj që më ka mësuar Zoti im. Unë e kam lënë fenë e njerëzve që nuk e besojnë Allahun, dhe që janë mohues të botës tjetër.[7]

[1] Kur gruaja e ministrit dëgjoi për intrigën dhe thashethemet e grave të qytetit, dërgoi që t’i ftonte ato në shtëpinë e saj për një vizitë, u përgatiti një banket dhe vend të përshtatshëm për t’u ulur e mbështetur, dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë për të qëruar e prerë frutat që u ofroi, pastaj i tha Jusufit që të dilte para tyre. Kur e panë Jusufin, ato u mahnitën nga bukuria e tij dhe e madhëruan shumë saqë e humbën mendjen dhe prenë duart me thikat që iu kishte dhënë gruaja e ministrit, pa e ndjerë fare, dhe vetvetiu thanë: “I Përsosur është Allahu dhe larg çdo të mete! O Zot i madh! Ky nuk është bir njeriu, sepse bukuria e tij nuk ishte parë në mesin e njerëzve, por ky është një prej engjëjve!”

[2] Gruaja e ministrit, për të shfajësuar veten për atë që kishte bërë, i tha grave që prenë duart nga humbja e mendjes për shkak të mahnitjes nga bukuria e Jusufit: “Ja pra, ky është ai djal për të cilin me qortuat se kisha rënë në dashuri! Dhe ta dini, se unë e kërkova atë dhe u përpova ta josh që të kryente atë që unë doja, por ai u mbrojt dhe refuzoi me vendosmëri të paparë. Por ta dijë, se nëse nuk do ta bëjë atë që i urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet.” Atëherë, ato gratë i thanë Jusufit: “Bindju zonjës tënde!” Kurse ai iu lut Allahut që ta shpëtonte nga intrigat e tyre.

[3] Ky ajet bën të kuptohet se gruaja e ministrit e ka përsëritur përpjekjen për joshjen e Jusufit, madje e kërcënoi atë me burg, nëse do të refuzonte ftesën e saj, por ai zgjodhi burgun në vend të veprës së shëmtuar, dhe iu lut Allahut që ta largonte prej tij intrigën e gruas së ministrit dhe grave të tjera, përndryshe mund të anonte nga ato dhe të bëhej prej atyre që bëjnë mëkate për shkak të injorancës së tyre në lidhje me Zotin e tyre.

[4] Allahu iu përgjigj lutjes së Jusufit dhe e largoi prej tij intrigën dhe veprën e shëmtuar që kërkonte gruaja e ministrit dhe shoqet e saj. Vërtet, Allahu e dëgjoi lutjen e Jusufit për të larguar prej tij intrigën e atyre grave, dhe Ai e dëgjon lutjen e çdokujt që i lutet Atij, sepse Ai është Gjithëdëgjuesi; dhe Ai e di shumë mirë nevojën që ka dhe kërkon çdokush prej krijesave të Tij dhe se çfarë është e mirë për ta.

[5] Ministrit dhe njerëzve që e rrethonin atë, u shkoi në mendje që ta burgosnin Jusufin për ca kohë, me qëllim që të mos përhapeshin fjalët dhe turpi, dhe deri sa të harrohej kjo që ndodhi, megjithëse vetë ministri i kishte parë provat e pafajësisë së Jusufit, dhe kështu Jusufi u burgos në mënyrë të padrejtë.

[6] Bashkë me Jusufin hynë në burg edhe dy shërbëtorë të mbretit të Egjiptit; njëri kujdesej për pijet e mbretit, kurse tjetri për ushqimin e tij. Gjatë bisedës në burg, Jusufi u tregoi atyre se dinte të interpretonte ëndrrat, kështu që ata i treguan ëndrrat e tyre për të ditur interpretimin e tyre se çfarë tregonin nga e ardhmja. I pari tha: “Unë pash në ëndërr sikur shtrydhja rrush për ta bërë verë.” Kurse i dyti tha: “Unë pash në ëndërr sikur mbaja bukë mbi kokë, dhe prej saj hanin zogjtë.” Pastaj thanë: “Na e trego interpretimin e këtyre ëndrrave, sepse në shohim që ti je nga njerëzit e mirë, të cilët janë të mirë me Allahun dhe adhurimin ndaj Tij, dhe të mirë në sjelljen e tyre me njerëzit.”

[7] Jusufi u tha atyre dy djemve që i kërkuan interpretimin e ëndrrave të tyre: “Rrini të qetë, sepse unë do t’jua tregoj interpretimin e ëndrrave tuaja para se t’ju vijë ushqimi i rradhës që i vjen të burgosurve, sepse kjo është pjesë e dijes që më ka mësuar Zoti im, por para se t’ju tregoj interpretimin e ëndrrave desha t’ju them disa fjalë në lidhje me besimin dhe fenë: “Unë e kam lënë dhe nuk i jam afruar kurrë fesë së atyre njerëzve që nuk e besojnë Allahun dhe nuk adhurojnë vetëm Atë, dhe që janë mohues të botës tjetër, të ringjalljes dhe të shpërblimit apo dënimit.”

-239-


  1. Dhe kam ndjekur fenë e etërve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Nuk na lejohet neve që t’i shoqërojmë Allahut asgjë (në adhurim). Kjo është nga dhuntitë e Allahut ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.[1]
  2. O shokët e mi të burgut! A është më mirë të adhurohen një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari?[2]
  3. Ju nuk adhuroni përveç Tij (Allahut) veçse emra që i keni emërtuar ju dhe etërit tuaj – Allahu nuk ka zbritur ndonjë argument për to. Vendimi nuk i përket askujt tjetër përveç Allahut – Ai ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Tij. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[3]
  4. O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i shërbejë verë zotërisë së tij, kurse tjetri do të kryqëzohet dhe zogjtë do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën pyetët është dekretuar tashmë.”[4]
  5. Pastaj i tha atij, për të cilin e dinte se do të shpëtonte: “Më përmend mua te zotëriu yt!” Por shejtani bëri që ai të harronte ta përmendte te zotëriu i vet, kështu që ai (Jusufi) qëndroi në burg për disa vite.[5]
  6. Dhe mbreti tha: “Unë shoh në ëndërr shtatë lopë të majme, të cilat i hanë shtatë lopë të dobëta; dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të thatë. O pari e vendit! Më shpjegoni ëndrrën time, nëse dini t’i interpretoni ëndrrat!”[6]

[1] Jusufi vazhdon t’i thotë shokëve të burgut: “Unë ndoqa fenë e etërve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit – Islamin, adhurimin e një Zoti të Vetëm. Nuk na lejohet neve që t’i bëjmë Allahut shok në adhurim, dhe kjo është nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, që të jemi robër të Allahut dhe jo të krijesave, por shumica e njerëzve nuk e falënderojnë Allahun për dhuntinë dhe mirësinë e Teuhidit – Njësimit të Allahut në adhurim – dhe të besimit.

[2] A është më mirë të adhurohen idhuj e krijesa të ndryshme që nuk bëjnë as dëm as dobi, apo të adhurohet vetëm Allahu, i Vetëm e Pashoq, i Cili ka nënshtruar e përulur gjithçka, dhe çdo krijesë i bindet Atij me dëshir apo me pahir? – Padyshim që adhurimi i Allahut është më i mirë dhe i merituar, kurse gjithçka tjetër është krijesë e dobët që nuk meriton adhurim apo madhërim.

[3] Ju, shokët e mi të burgut dhe ata që janë idhujtarë si ju nga banorët e Egjiptit, nuk adhuroni tjetër përveç Allahut, veçse emra bosh, të cilat i keni emërtuar dhe marrë për zota vetë ju dhe etërit tuaj – sepse Allahu nuk ka zbritur ndonjë argument apo provë për vërtetësinë e kësaj që bëni. Por vendimi nuk i takon askujt tjetër përveç Allahut, as juve as idhujve tuaj, dhe Allahu ka urdhëruar që të mos adhuroni asgjë dhe askënd tjetër përveç Tij, dhe të mos i përuleni e nënshtroheni para askujt tjetër përveç Tij. Kjo është feja dhe besimi i drejtë, në të cilin nuk ka shtrembërime, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë të vërtetë.

[4] O shokët e mi të burgut, ky është interpretimi i ëndrrave tuaja: Ai që pa në ëndërr sikur shtrydhte rrush për ta bërë verë, do të dalë nga burgu dhe do të bëhet shërbyes i verës për mbretin, kurse tjetri që pa në ëndërr sikur mbante bukë mbi kokë, do të kryqëzohet dhe do të lihet mbi kryq, sa që zogjtë do të hanë nga koka e tij. Kjo çështje është vendosur nga Allahu kështu siç jua tregova dhe kështu do të ndodhë.

[5] Atij që Jusufi e dinte se do të shpëtonte prej atyre dy shokëve të burgut, i tha që ta përmendte para zotëriut të tij, mbretit, duke i thënë që Jusufi është burgosur padrejtësisht dhe pa bërë ndonjë shkelje apo gabim. Por shejtani bëri që ai të harronte, dhe kështu Jusufi mbeti në burg disa vite – midis 3 dhe 9 viteve.

[6] Pasi kaluan disa vite nga burgosja e Jusufit, dhe Allahu donte ta nxirrte atë nga burgu, bëri që mbreti i Egjiptit të shihte një ëndërr në mënyrë të përsëritur, të cilën nuk mund ta interpretonte askush përveç Jusufit. Dhe kështu, mbreti tha: “Unë shoh një ëndërr ku shtatë lopë të majme gëlltiten nga shtatë lopë të ligëta, si dhe shtatë kallinj gruri të gjelbër dhe shtatë të tjerë të thatë. O pari e Egjiptit, dhe ju njerëz me dije e urtësi, më tregoni çfarë domethënie ka kjo ëndrra ime, nëse dini t’i interpretoni ëndrrat.”

-240-


  1. Ata thanë: “Janë ëndrra të ngatërruara, dhe ne nuk dimë t’i interpretojmë ëndrrat e tilla.”[1]
  2. Ai që shpëtoi nga ata të dy (shokët e burgut), u kujtua pas një kohe dhe tha: “Unë do t’ju informoj për interpretimin e saj, prandaj më dërgoni (te Jusufi)![2]
  3. – Jusuf, o njeri i sinqertë! Na shpjego një ëndërr, ku shtatë lopë të majme hahen nga shtatë lopë të dobëta dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të thatë, që të kthehem te njerëzit e ta mësojnë.”[3]
  4. Ai (Jusufi) tha: “Do të mbillni për shtatë vjet rresht; dhe atë që do të korrni lëreni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.[4]
  5. Pastaj, pas këtyre do të vijnë shtatë vite të vështira, të cilat do t’i hanë ato që i rezervuat për to, përveç një pakice që do të ruani.[5]
  6. Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit, në të cilin njerëzit do të kenë shi të bollshëm dhe në të cilin do të shtrydhin (frutat).”[6]
  7. Mbreti tha: “Silleni atë (Jusufin) tek unë!” Por kur i erdhi i dërguari (i mbretit), ai (Jusufi) i tha: “Kthehu te zotëriu yt dhe pyete: “Si ishte çështja e atyre grave që prenë duart e veta?” Me të vërtetë, Zoti im e di kurthin e tyre.”[7]
  8. Ai (mbreti) tha: “Si ishte çështja juaj kur u përpoqët ta joshnit Jusufin?” Ato thanë: “Allahu na ruajtë! Ne nuk dimë asgjë të keqe për të.” Gruaja e ministrit tha: “Tani doli e vërteta! Isha unë që u përpoqa ta josh atë; kurse ai është vërtet nga të sinqertët.”[8]
  9. – Kjo (tha Jusufi), që ai (ministri) ta dijë se unë nuk e kam tradhtuar në mungesë të tij, dhe se vërtet, Allahu nuk i jep sukses kurthit të tradhtarëve.[9]

[1] Paria e mbretit tha: “Kjo ëndrra jote është e ngatërruar dhe nuk ka kuptim apo interpretim, dhe ne nuk dimë t’i interpretojmë ëndrrat e tilla.”

[2] Ai që shpëtoi nga vdekja dhe nga burgu, prej atyre dy shokëve të Jusufit në burg, u kujtua pas një kohe gjatë për fjalën që i kishte thënë Jusufi, që ta përmendte te mbreti dhe t’i tregonte që ishte burgosur padrejtësisht, dhe kështu i tha mbretit: “Unë do t’ju informoj për interpretimin e ëndrrës, prandaj më lejoni të shkoj te Jusufi brenda në burg, që t’ju sjell interpretimin e ëndrrës.”

[3] Kur e çuan te Jusufi në burg, ai i tha Jusufit: “O njeri i sinqertë e drejtë! Na trego interpretimin e një ëndrre ku shtatë lopë të majme hahen nga shtatë lopë të dobëta dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të thatë, në mënyrë që të kthehem te mbreti dhe oborri mbretëror e t’ua tregoj atyre, që ata ta mësojnë interpretimin e ëndrrës dhe të mësojnë për dijen dhe vendin tënd gjithashtu.”

[4] Jusufi filloi menjëherë me interpretimin e ëndrrës së mbretit, pa parathënie kësaj rradhe, ndryshe nga hera e kaluar në burg, duke i thënë pyetësit: “Interpretimi i ëndrrës është ky: “Do të mbillni për shtatë vjet rresht ashtu si mbillni zakonisht – këto janë shtatë lopët e majme dhe shtatë kallinjtë e gjelbër.” Pastaj, Jusufi i këshilloi ata që të korrurat t’i linin në kallinj që të mos prishen gjatë kohës së gjatë që duhet t’i ruanin, me përjashtim të një pakice që do ju duhej për të ngrënë gjatë këtyre shtatë viteve të parë.

[5] Pas këtyre shtatë viteve me prodhim të bollshëm, do të vijnë shtatë vite të vështira, me thatësirë të madhe dhe pa prodhim, gjatë të cilëve do të hahen të gjitha të korrurat e rezervuara nga ju gjatë parapërgatitjes për to në shtatë vitet e para – me përjashtim të një pakice që do ta ruani për farë.” Ky është interpretimi i shtatë lopëve të dobëta dhe shtatë kallinjve të thatë nga ëndrra e mbretit.

[6] Pas shtatë viteve të vështirë do të vijë një vit i begatë, me shira dhe prodhime të bollshme, sa që njerëzit do të shtrydhin fruta të ndryshme e ullinj për t’i bërë vaj, si dhe do të mjelin qumështin e bagëtive, të cilat do të shtohen gjithashtu. Ky ishte një lajm i mirë për njerëzit nga Jusufi (alejhis selam), që nuk ishte shfaqur në ëndrrën e mbretit, por që ishte një nga lajmet e të fshehtës të cilin ia tregoi Allahu, si provë për profetësinë e tij dhe argument për sinqeritetin dhe të vërtetën e fjalës së tij.

[7] Kur mbreti dëgjoi interpretimin që Jusufi i kishte bërë ëndrrës së tij, dhe u mrekullua nga ai interpretim, urdhëroi që ta lironin nga burgu dhe t’a çonin tek ai menjëherë. Por, kur i dërguari i mbretit shkoi te Jusufi, ky i tha që të kthehej te zotëriu i vet, d.m.th. te mbreti dhe të kërkonte prej tij që të pyeste për çështjen e atyre grave që prenë duart e tyre kur panë Jusufin, se si qëndronte e vërteta e kësaj çështje dhe përse Jusufi u fut në burg, në mënyrë që ta mësojnë të gjithë të vërtetën dhe të vërtetohet pafajësia e Jusufit. Me të vërtetë, Allahu e di kurthin e tyre dhe pafajësinë e Jusufit, dhe Atij nuk i shpëton asgjë, por që ta dinë njerëzit atë që ka ndodhur në të vërtetë.

[8] Mbreti urdhëroi që t’ia sillnin ato gratë që prenë duart bashkë me gruan e ministrit, dhe kur erdhën para tij, u tha atyre: “Si ishte çështja juaj në ditën e ftesës nga gruaja e ministrit, kur ju u përpoqët të joshni Jusufin, a patë ndonjë gjë të dyshimtë tek ai?” Ato thanë: “Allahu na ruajtë! Asgjë të keqe nuk pamë tek ai.” Atëherë, gruaja e ministrit tha: “Tani doli e vërteta! Isha unë ajo që u përpoqa ta josh atë, kurse ai u mbrojt dhe u largua, dhe ai është vërtet nga të sinqertët në çdo fjalë të tij.”

[9] Jusufi tha: “Këtë rihapje të kësaj çështje dhe rigjykim nga vetë mbreti, e kërkova me qëllim që të dalë e vërteta dhe ta dijë zotëriu im, ministri që më bleu dhe më strehoi, se unë nuk e kam tradhëtuar atë në familjen e tij gjatë mungesës së tij, dhe se vërtet, Allahu nuk e drejton dhe nuk i jep sukses atij që i shkel amanetet dhe tradhton ata që i kanë besuar.

-241-


  1. Dhe nuk e shfajësoj veten time, sepse vërtet, uni i njeriut është shumë urdhërues i së keqes, përveç atyre që mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës, Mëshirëplotë.”[1]
  2. Mbreti tha: “Silleni atë (Jusufin) tek unë, që ta kem posaçërisht për vete.” Kur bisedoi me të, ai (mbreti) tha: “Sot, ti ke pozitë të lartë tek ne dhe je i besuar nga ne.”[2]
  3. Ai (Jusufi) i tha: “Më cakto në krye të depove të vendit; vërtet, unë jam ruajtës, i ditur.”[3]
  4. Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në tokë, që të vendosej ku të donte. Ne prekim me mëshirën Tonë kë të duam, dhe kurrë nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve.[4]
  5. Por shpërblimi i botës tjetër është më i mirë për ata që besuan dhe që ruheshin.[5]
  6. Pastaj erdhën vëllezërit e Jusufit dhe hynë tek ai; ai i njohu, por ata nuk e njohën.[6]
  7. Pasi u përgatiti furnizimet e tyre, u tha: “Më sillni vëllanë tuaj prej babait! A nuk e shihni se unë jap masën e plotë (për çdonjërin) dhe jam mikpritësi më i mirë?[7]
  8. Nëse nuk ma sillni atë, nuk do të ketë më furnizim për ju dhe as nuk do të më afroheni!”[8]
  9. Ata thanë: “Do të përpiqemi ta bindim babanë e tij dhe me siguri që do ta bëjmë.”[9]
  10. Ai (Jusufi) u tha shërbëtorëve të vet: “I vendosni paratë e tyre (që paguan) në plaçkat e tyre, në mënyrë që t’i gjejnë ato kur të kthehen te familja e vet; ndoshta kthehen përsëri.”[10]
  11. Kur u kthyen te babai i tyre, ata thanë: “O babai ynë! Na u ndalua furnizimi i mëtejshëm, prandaj dërgoje me ne vëllanë tonë, që të mund të marrim furnizim; dhe ne patjetër që do ta ruajmë atë!”[11]

[1] Jusufi (alejhis selam) vazhdon të thotë: “Dhe me këtë, unë nuk e shfajësoj veten nga gabimi apo rrëshqitja, sepse vërtet, uni dhe vetja e njeriut është urdhërues i vazhdueshëm i së keqes, epshit dhe dëshirave vetjake, por këtu përjashtohen atyre që Allahu i mëshiron prej krijesave të Tij, dhe që i shpëton nga ndjekja e epsheve dhe dëshirave që unet e tyre urdhërojnë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë, prandaj i kërkoni falje Atij dhe kthehuni tek Ai me pendim, që të mund të shpëtoni nga e keqja e veprave tuaj dhe ndëshkimi për to.

[2] Kur mbreti mësoi për pafajësinë dhe besnikërinë e Jusufit, tha: “Silleni atë tek unë, që ta kem posaçërisht për vete dhe këshilltarin tim të afërt.” Kur Jusufi erdhi tek ai dhe bisedoi me të, dhe kur mbreti pa sjelljen dhe moralin e tij, përveç të tjerash, i tha: “Sot, ti ke pozitë të lartë tek ne dhe je i besuar nga ne për çdo gjë, prandaj shiko çfarë pozite apo vendi dëshiron, që ta japim.”

[3] Jusufi donte t’i sillte dobi njerëzve dhe të zbatonte drejtësinë mes tyre, që i tha mbretit: “Më cakto drejtues dhe administrues të depove të Egjiptit, sepse unë jam ruajtës i besuar i depove dhe kam dije e njohuri në këtë fushë; qoftë për mënyrën e mbjelljes, korrjes, konsumit dhe llogarive ekzakte për të përballuar me sukses vitet e thatësisë dhe skamjes që do të kapin jo vetëm Egjiptin, por edhe zonat përreth.” Dhe kështu u bë.

[4] Kështu Allahu i bëri vend dhe i dha pozitë Jusufit në Egjipt, pasi ishte shitur nga vëllezërit e vet dhe më pas burgosur në mënyrë të padrejtë për një kohë të gjatë. Allahu e lëshon mëshirën e Vet mbi kë të dojë nga robët e Tij të devotshëm, ashtu si e lëshoi mbi Jusufin, dhe kurrë nuk ia humb shpërblimin atyre që veprojnë në bindje ndaj Zotit të tyre, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu ndaluar ndalesave të Tij; ashtu si nuk ia humbëm Jusufit shpërblimin e veprës së mirë që bëri në bindje ndaj Zoti të Tij kur u ruajt nga mëkati me gruan e ministrit.

[5] Shpërblimi i botës tjetër është më i mirë dhe më i madh tek Allahu se shpërblimi i kësaj bote, dhe sigurisht që ai shpërblim është për ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që i ruheshin ndëshkimit të Allahut duke kryer urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij në dynja.

[6] Kur hynë vitet e thatësirës, vëllezërit e Jusufit erdhën tek ai në Egjipt për të marrë furnizim, pasi kishin dëgjuar se ata ishin parapërgatitur për këtë gjë. Kur hynë te Jusufi, i cili ishte përgjegjësi i depove, ai i njohu ata, por ata nuk e njohën atë, ashtu siç i tha Allahu Jusufit kur ata e hodhën në pus.

[7] Jusufi urdhëroi që vëllezërit e tij të priteshin mirë në pallatin e tij dhe të respektoheshin, pastaj u përgatiti furnizimet për ngarkesën e kafshës së secilit prej tyre në mënyrën më të plotë dhe pa u kursyer. Në kohën që ishin tek ai, ata i kishin treguar se kishin edhe një vëlla tjetër nga babai, të cilin nuk e kishin marrë me vete, kurse një vëlla u kishte humbur në shkretëtirë kur ishte i vogël. Atëherë, ai u tha atyre që herën tjetër t’i sillnin edhe vëllanë e tyre më të vogël, Beniaminin, duke iu kujtuar se ai i jepte çdonjërit që shkonte tek ai ngarkesën e vetë me ushqim dhe të lashta, në mënyrën më të plotë, dhe se ai ishte pritësi më i mirë për ta në atë vend.

[8] Nëse nuk e sillni vëllanë tuaj prej babai herën tjetër, nuk do të ketë më ushqim e furnizim për ju, dhe as nuk do të lejoj të më afroheni; apo: as mos u afroni!

[9] Vëllezërit e Jusufit thanë: “Do të përpiqemi ta bindim babanë që ta lërë Beniaminin të vijë me ne herën tjetër, dhe kemi për ta bërë me ngulm këtë gjë.”

[10] Jusufi i tha shërbëtorëve të vet, që paratë që paguan vëllezërit e tij për furnizimin me ushqime, t’i vendosnin fshehurazi në plaçkat e tyre, duke shpresuar që do ta vërenin këtë gjë kur të ktheheshin te familja e tyre në Palestinë, dhe kjo do i shtynte ata që ktheheshin përsëti te Jusufi bashkë me vëllanë e tyre të vogël; duke shpresuar që të përfitonin edhe më shumë prej tij, ose me qëllimin për t’i kthyer paratë me të cilat blenë furnizimet ushqimore, dhe të cilat gabimisht nuk i kishin paguar dhe kishin mbetur në plaçkat e tyre, sepse nuk mund të mbanin diçka që nuk u lejohej – sipas mendimit të tyre, duke qenë se nuk e dinin se ato iu ishin kthyer me vetë urdhrin e Jusufit.

[11] Kur vëllezërit e Jusufit u kthyen te babai i tyre, Jakubi (alejhis selam), i treguan atij për mikpritjen e ministrit të depove, pastaj i thanë: “Ai nuk do të na japë më furnizim nëse do të kemi me vete vëllanë tonë, Beniaminin, për të cilin i folëm atij, prandaj dërgoje atë me ne, që të mund të marrim furnizim, dhe ne të japim fjalën tonë se do ta ruajmë atë.”

-242-


  1. Ai u tha: “A t’jua besoj atë juve, ashtu siç jua pata besuar më parë vëllanë e tij?! Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve.”[1]
  2. Kur hapën plaçkat, gjetën paratë e tyre t’iu ishin kthyer. Atëherë thanë: “O babai ynë! Çfarë mund të kërkojmë më shumë? Këto janë paratë tona që na janë kthyer. Ne do ta furnizojmë familjen tonë, do ta ruajmë vëllanë tonë dhe do të marrim një barrë deveje më shumë; kjo është një barrë e lehtë.”[2]
  3. Ai (Jakubi) tha: “Unë nuk do ta dërgoj atë me ju, derisa të më jepni një besë duke u betuar në Allahun, se do të ma ktheni atë, përveç nëse rrethoheni të gjithë.” Kur ata i dhanë besën e tyre, ai tha: “Allahu është Dëshmitar i asaj që themi.”[3]
  4. Pastaj tha: “O bijtë e mi! Mos hyni të gjithë nga e njëjta portë, por hyni nga porta të ndryshme. Unë nuk mund t’ju bëj aspak dobi ndaj asaj që është caktuar nga Allahu! Vendimi i përket vetëm Allahut; tek Ai jam mbështetur dhe tek Ai të mbështeten ata që kërkojnë mbështetje!”[4]
  5. Kur ata hynë (në qytet) ashtu siç i kishte urdhëruar babai i tyre – kjo nuk mund t’i bënte atyre aspak dobi ndaj caktimit të Allahut, përveç një nevoje (merak) në veten e Jakubit, që e plotësoi. Me të vërtetë, ai (Jakubi) ishte njeri me dije, për shkak të asaj që i mësuam Ne, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[5]
  6. Kur hynë te Jusufi, ai e përqafoi vëllanë e vet (Beniaminin) dhe i tha: “Me të vërtetë, unë jam vëllai yt, prandaj mos u brengos për atë që ata (vëllezërit) kanë vepruar!”[6]

[1] Jakubi (alejhis selam) iu përgjigj bijve të tij: “Si mund t’jua besoj juve Beniaminin, përderisa më parë ju pata besuar vëllanë e tij, Jusufin, dhe ju u zotuat se do ta ruanit atë, por nuk e mbajtët fjalën?! Unë nuk kam besim në zotimin dhe ruajtjen tuaj, por kam besim te ruajtja e Allahut, i Cili është Ruajtësi më i mirë dhe më i Mëshirshmi i mëshiruesve, nga i Cili shpresoj të më mëshirojë dhe të ma ruajë birin tim, e të ma kthejë përsëri atë.”

[2] Kur hapën plaçkat dhe bagazhet e tyre, gjetën se paratë që paguan për furnizimet iu ishin kthyer mbrapsht, kështu që i thanë babait: “Çfarë mund të kërkojmë më shumë se kaq? Këto janë paratë me të cilat blem furnizimet tona, por ministri na i ka kthyer përsëri. Pra, rri i qetë për vëllanë tonë të vogël, dhe dërgoje atë me ne, që të sjellim ushqim dhe furnizim të bollshëm për familjen tonë, dhe ne do ta ruajmë Beniaminin, dhe do të marrim barrën e një deveje më shumë për Beniaminin, sepse ministri i jep secilit që shkon tek ai barrën e një deveje me ushqim, dhe kjo është një barrë e lehtë për ministrin, që nuk e rëndon aspak / ose kjo barrë shtesë sigurohet lehtë te ministri, dhe neve na ndihmon shumë, e do të kthehemi shpejt, kështu që dërgoje Beniaminin me ne.”

[3] Jakubi u tha bijëve të tij: “Nuk do e lë Beniaminin të vijë me ju, deri sa të më jepni besën duke u betuar në Allahun, se do ta ktheni atë tek unë, përveç nëse vriteni ose mundeni të gjithë dhe nuk mund ta sillni atë.” Kur ata i dhanë besën duke u betuar në Allah, ashtu si ua kërkoi babai, ai tha: “Allahu është Dëshmitar i asaj që themi dhe tek Ai mbështetemi.”

[4] Pasi vendosi ta dërgonte Beniaminin me djemtë e tij, Jakubi i këshilloi ata: «O bijtë e mi! Mos hyni të gjithë nga e njëjta e portë e qytetit – Egjiptit -, por hyni nga porta të ndryshme!» Jakubi i këshilloi kështu sepse kishte frikë nga syri i keq (mësyshja) kundër djemve të tij, të cilët ishin të pashëm, dhe nëse do të hynin të gjithë nga e njëjta portë, do të habiteshin njerëzit dhe do t’i përflisnin, duke thënë se janë të gjithë nga i njëjti baba! Pastaj u tha atyre, se ai nuk mund të largonte prej tyre asgjë nga caktimi i Allahut, nëse ishte caktuar diçka kundër tyre, sepse vendimi i takon vetëm Allahut për gjithçka, por unë i mbështetem Allahut dhe u besoj juve tek Ai që t’ju ruajë e t’ju kthejë tek unë shëndosh e mirë, dhe nuk mbështetem te hyrja në Egjipt nga porta të ndryshme. Po kështu, vetëm tek Allahu duhet të mbështeten të gjithë ata që kërkojnë mbështetje prej besimtarëve.

[5] Kur vëllezërit e Jusufit hynë në Egjipt nga porta të ndryshme, ashtu si i kishte këshilluar babai i tyre – kjo gjë nuk do i bënte atyre aspak dobi ndaj caktimit të Allahut, por ishte një merak dhe shqetësim i Jakubit se mos i zinte ndonjë sy i keq, dhe ai e përmbushi këtë nevojë dhe u qetësua disi nga kjo anë. Padyshim, këtë këshillë që Jakubi i dha bijve të tij, ia dha duke u mbështetur në dije, sepse ai ishte njeri me dije, të cilën ia kishte mësuar Allahu me shpallje, por shumica e njerëzve nuk e dinë atë që dinte Jakubi (alejhis selam).

[6] Kur vëllezërit e Jusufit bashkë me Beniaminin hynë tek Jusufi, në pallatin e pritjes së miqve, Jusufi përqafoi vëllanë e tij nga nëna dhe baba, Beniaminin, dhe i tha në fshehtësi, që të mos e dëgjonin vëllezërit e tjerë: «Unë jam vëllai yt, Jusufi, prandaj që sot e tutje, mos u brengos më për atë që kanë bërë vëllezërit tanë me mua dhe me ty!» Pastaj i tha që ta mbante të fshehtë këtë gjë, dhe të mos ia tregonte vëllezërve të tjerë që ai ishte Jusufi.

-243-


  1. Pasi u përgatiti furnizimet e tyre, ai (Jusufi) futi enën e matjes në plaçkat e vëllait të vet. Pastaj një thirrës thirri: “O karvan! Me të vërtetë, ju jeni vjedhës!”[1]
  2. Ata u kthyen drejt tyre dhe thanë: “Çfarë ju ka humbur?”[2]
  3. Ata thanë: “Na ka humbur ena matëse e mbretit. Kush e sjell atë, do të ketë shpërblim një barrë deveje ushqim; unë e garantoj këtë.”[3]
  4. Ata (vëllezërit) thanë: “Betohemi për Allahun! Ju e dini se ne nuk kemi ardhur të bëjmë shkatërrim në tokë dhe nuk kemi qenë kurrë vjedhës.”[4]
  5. Ata thanë: “Atëherë cili do të jetë dënimi i tij (vjedhësit), nëse do të dilni gënjeshtarë?”[5]
  6. Ata (vëllezërit) thanë: “Dënimi i tij është skllavërimi i vetë atij, në barrën e të cilit gjendet e vjedhura. Kështu i dënojmë ne të padrejtët.”[6]
  7. Atëherë, ai filloi të kontrollojë trastat e tyre para trastës së vëllait të tij (Beniaminit); pastaj e nxori atë nga trasta e vëllait të tij. Kështu planifikuam Ne për Jusufin. Ai nuk mund ta merrte vëllanë e vet (për skllav), sipas ligjit të mbretit, përveç se me vullnetin e Allahut. Ne ngremë në gradë kë të duam, dhe mbi çdo të ditur është një më i ditur se ai.[7]
  8. Ata (vëllezërit) thanë: “Nëse ky ka vjedhur, atëherë ka vjedhur edhe një vëlla i tij më parë!” Jusufi e mbajti brenda vetes dhe nuk ua shfaqi atyre, por në vete tha: “Ju jeni në pozitë më të keqe, dhe Allahu e di më së miri atë që përshkruani!”[8]
  9. Ata (vëllezërit) thanë: “O ministër! Me të vërtetë, ai ka një baba shumë të vjetër, prandaj merr ndonjërin prej nesh në vend të tij! Ne po shohim se ti je nga njerëzit e mirë.”[9]

[1] Pasi u përgatiti furnizimet dhe ia ngakoi mbi deve, Jusufi urdhëroi punëtorët e tij që ta fusnin enën prej ari me të cilën ai maste grurin dhe të lashtat që i takonte secilit për barrën e devesë së vet, në plaçkat e vëllait të tij, Beniaminit, pa i vënë re njeri. Kur ata u nisën të largohen, një thirrës i Jusufit thirri me zë të lartë: “O njerëzit e këtij karvani të ngarkuar me ushqime! Ju jeni vjedhës!»

[2] Vëllezërit e Jusufit të habitur, u kthyen nga thirrësi dhe ata që ishin bashkë me të prej ushtarëve, dhe i pyetën se çfarë iu kishte humbur?

[3] Thirrësi dhe shoqëruesit e tij thanë: “Na ka humbur ena matëse e mbretit, një enë prej ari dhe me gurë të çmuar. Kushdo që e sjell atë, do të ketë shpërblim barrën e një deveje ushqim ; unë e garantoj këtë» – tha thirrësi.

[4] Vëllezërit e Jusufit thanë: “Betohemi në Allahun, se ju e dini që ne nuk kemi ardhur për të bërë shkatërrim e prishje në tokën e Egjiptit, sepse na keni parë dhe vëzhguar gjatë kohës së qëndrimit tonë këtu, dhe vjedhja nuk është cilësia jonë, dhe ne kurrë nuk kemi vjedhur!»

[5] Ata që ishin ngarkuar për kërkimin e enës matëse të mbretit i thanë vëllezërve të Jusufit: «Cili është dënimi i vjedhësit tek ju, nëse do të dilni gënjeshtarë në fjalën që thatë se nuk jeni vjedhës?»

[6] Vëllezërit e Jusufit thanë: “Dënimi i vjedhësit tek ne është skllavërimi i vetë atij tek i vjedhuri; pra, ai në barrën e të cilit do të gjendet ena matëse e mbretit, do të bëhet skllav te mbreti, dhe vetëm ai, e askush tjetër përveç tij. Kështu i dënojmë ne të padrejtët dhe keqbërësit, dhe ky është ligji ynë dhe feja jonë, që na e ka mësuar babai ynë, i dërguari i Allahut, Jakubi.»

[7] Atëherë, rojet i kthyen vëllezërit e Jusufit te Jusufi, dhe vetë ai filloi të kontrollonte trastat e tyre për enën matëse të mbretit, duke filluar së pari me trastat e vëllezërve të tjerë para trastës së vëllait të tij nga baba e nëna, Beniaminit; pastaj e nxori atë nga trasta e vëllait të tij, Beniaminit. Kështu ia mundësoi dhe inspiroi Allahu këtë plan Jusufit, që të mund ta merrte vëllanë e tij brenda pallatit mbretëror, dhe sigurisht që Beniamini ishte në dijeni të planit, kështu që nuk kundërshtoi kur u morr si skllav për shkak të vjedhjes që në fakt nuk e kishte bërë. Plani qëndronte edhe në ligjin me të cilin do të gjykohej vjedhësi, dhe Jusufi e dinte që nuk mund ta merrte vëllanë e vet në pallat si skllav, vetëm nëse do të gjykonte me ligjin e vëllezërve të tij, pra të Jakubit, sepse ligji i mbretit të Egjiptit nuk gjykonte kështu, por gjykonte me rrahjen e vjedhësit dhe detyrimin e pagimit të dyfishit të shumës së vjedhur. Por, Allahu deshi që Jusufi ta merrte vëllanë e tij në pallat dhe t’u jepte mësim vëllezërve të Jusufit, dhe ashtu ndodhi. Allahu ngre në grada të dijes dhe të pozitës në këtë botë, kë të dojë; por mbi çdo të ditur, është një më i ditur se ai, deri sa dija të mbarojë te Allahu, i Gjithëdijshmi i të dukshmes dhe të padukshmes.

[8] Vëllezërit e Jusufit thanë: “Nëse ky ka vjedhur, d.m.th. Beniamini, atëherë ka vjedhur edhe një vëlla i tij prej babe dhe nëne më parë, d.m.th. Jusufi.» Qëllimi i tyre ishte të shfajësonin veten, dhe të thonin që ky – Beniamini – dhe vëllai i tij – Jusufi – mund të bëjnë gjëra të tilla, se janë vëllezër prej babe dhe nëne, kurse ne jo. Këto fjalë e mërzitën shumë Jusufin, por ai e mbajti zemërimin brenda vetes dhe nuk ua shfaqi atë atyre, dhe tha me vete: «Ju jeni në pozitë më të keqe se unë dhe vëllai im, sepse keni vepruar gjëra shumë të këqia më parë, e Allahu e di më së miri gënjeshtrën që përshkruani ju në lidhje me mua dhe vëllanë tim, Beniaminin, për vjedhjen, por Allahu e di që ne jemi të pafajshëm.

[9] Atëherë, vëllezërit e Jusufit provuan ta merrnin me të mirë dhe t’i flisnin me ndjenjë ministrit – Jusufit, duke i thënë: “Me të vërtetë, ky djalë – Beniamini – e ka babanë shumë të vjetër në moshë, që e do shumë dhe që kalon shumë kohë me të për të mbajtur mërzitjen e djalit të tij të humbur, Jusufit, për të cilin të kemi treguar, kështu që merr njërin nga ne në vend të Beniaminit, sepse ne shohim që ti je njeri i mirë në sjelljen me ne dhe me njerëzit e tjerë.»

-244-


  1. Ai (Jusufi) tha: “Allahu na ruajtë nga marrja e dikujt tjetër në vend të atij te i cili gjetëm plaçkën tonë! Atëherë, do të ishim vërtet të padrejtë!”[1]
  2. Kur e humbën shpresën tek ai (Jusufi), u veçuan të diskutojnë me njëri-tjetrin. Më i madhi prej tyre tha: “A nuk ju kujtohet që babai juaj ka marrë prej jush besën me betim në Allahun, ndërsa më parë ajo që neglizhuat me Jusufin? Unë nuk do të largohem nga kjo tokë, derisa të më lejojë babai im ose të gjykojë Allahu për mua; dhe Ai është Gjykatësi më i mirë.[2]
  3. Kthehuni te babai juaj dhe i thoni: “O babai ynë! Me të vërtetë, djali yt vodhi, dhe ne nuk dëshmojmë veçse për atë që pamë; por të fshehtën nuk e dinim.[3]
  4. Pyet qytetin në të cilin ishim dhe karvanin me të cilin erdhëm – me të vërtetë, ne jemi të sinqertë.”[4]
  5. Ai (Jakubi) tha: “Jo, përkundrazi, vetet tuaja ju kanë joshur të bëni diçka, por do të duroj me durim të mirë! Shpresoj që Allahu të m’i sjellë të gjithë ata. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.”[5]
  6. Pastaj i ktheu shpinën atyre dhe tha: “Oh, pikëllimi im për Jusufin!” – dhe ju zbardhën sytë nga pikëllimi, nga që e shtypte atë.[6]
  7. Ata (bijtë e Jakubit) thanë: “Për Allahun! Nuk do të pushosh së kujtuari Jusufin, derisa të sëmuresh rëndë ose të shkatërrohesh plotësisht!”[7]
  8. Ai (Jakubi) tha: “Për brengën dhe pikëllimin tim unë ankohem vetëm tek Allahu, dhe unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini.”[8]

[1] Jusufi i tha vëllezërve të tij: «I kërkojmë mbrojtje Allahut të na ruajë nga marrja e dikujt tjetër të pafajshëm në vend të atij tek i cili gjetëm plaçkën tonë të humbur, përndryshe do të jemi të padrejtë, sipas vetë gjykimit dhe ligjit me të cilin gjykoni ju!»

[2] Kur i humbën shpresat se Jusufi do i përgjigjej kërkesës së tyre, vëllezërit e tij u veçuan nga njerëzit e tjerë për të diskutura me njëri-tjetrin. Më i madhi prej tyre në moshë, tha: «A nuk e dini, apo a nuk ju kujtohet se babai juaj ka marrë prej jush besën e fortë me betim në Allahun, se ju do ia ktheni Beniaminin, përveç nëse rrethoheni dhe mundeni, dhe a nuk ju kujtohet gjithashtu se çfarë keni bërë më parë me Jusufin? Për këtë shkak, unë nuk do të largohem nga kjo tokë – nga toka e Egjiptit – deri sa të më japë lejë babai im që të largohem prej saj, ose të gjykojë Allahu për mua që të largohem prej saj pasi të kem marr vëllanë tim të vogël. Allahu është Gjykatësi më i mirë dhe më i drejtë në gjykimin mes njerëzve…»

[3] Kthehuni ju te babai, pa mua, dhe i tregoni atë që ndodhi në të vërtetë: «O babai ynë! Djali yt -Beniamini – bëri vjedhje, dhe ne nuk dëshmojmë veçse pasi u siguruam dhe e pamë me sytë tanë enën matëse të mbretit në trastën e tij; ne nuk e dinim të fshehtën se ai do të vidhte, kur të dhamë besën se do ta kthenim atë, se sikur ta dinim që do të vidhte, nuk do ta merrnim me vete.»

[4] «Pyet, o babai ynë, banorët e Egjiptit ku ne ishim kur ndodhi vjedhja dhe skllavërimi i Beniaminit, dhe pyet gjithashtu ata që ishin me ne në karvanin me të cilin erdhëm nga Egjipti – ne jemi vërtet të sinqertë dhe po të themi të vërtetën.»

[5] Jakubi (alejhis selam) i tha bijve të tij, kur ata i treguan për skllavërimin e Beniaminit në Egjipt: “Përkundrazi, nuk është ashtu si thoni ju, por vetet dhe unet tuaja ju kanë joshur që të bëni ndonjë gjë të keqe kundër Beniaminit, ashtu si bëtë më parë me Jusufin; por unë do të duroj me durim të mirë, pa iu ankuar askujt prej krijesave. Shpresoj që Allahu të m’i kthejë të tre djemtë e mi që janë larg – Jusufin, Beniamin dhe vëllanë e madh, i cili nuk u kthye në shtëpi me vëllezërit për shkak të Beniaminit. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshmi – Ai e di gjendjen time, dhe Ai ëhtë i Urti – i Cili e vendos çdo gjë në vendin e vet.»

[6] Jakubi i ktheu shpinën djemve të tij duke e lënë bisedën me ta për shkak të ngushtimit të madh që iu bë në gjoks nga fjalët e tyre, dhe tha: « Oh, pikëllimi im për Jusufin! – dhe në atë çast iu zbardhën sytë e u verbua, nga pikëllimi dhe trishtimi i madh që i mbushi zemrën dhe e pushtoi, por që e shtypte dhe e fshihte nga të tjerët.

[7] Kur panë që Jakubit iu zbardhën sytë, bijtë e tij i thanë: “Për Allahun! Nuk do të pushosh se kujtuari Jusufin, derisa të sëmuresh rëndë në trup dhe në tru, ose deri sa të vdesësh! Mjaft e kujtove atë!»

[8] Jakubi (alejhis selam) i tha bijve të tij: “Unë i ankohem vetëm Allahut për brengën që i pushton njerëzit dhe që nuk mund ta durojnë dhe për pikëllimin tim, dhe askujt prej njerëzve, sepse vetëm ankesa tek Allahu mund të bëjë dobi dhe jo tek ndokush tjetër, dhe vetëm Allahu e largon brengën, pikëllimin dhe çdo të keqe; dhe unë di nga Allahu dhe mëshira e shpëtimi i Tij, atë që ju nuk e dini.” Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është përcjellë të ketë thënë se Jakubi (alejhis selam) kishte për qëllim të thoshte se e dinte që ëndërra e Jusufit ishte e vërtetë dhe do të përmbushej, dhe se ai do i përulej Jusufit patjetër.

-245-


  1. “O bijtë e mi! Shkoni e kërkoni për Jusufin dhe vëllanë e tij, dhe mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Me të vërtetë, askush nuk e humb shpresën nga mëshira e Allahut, përveç njerëzve mohues.”[1]
  2. Kur ata hynë përsëri te ai (Jusufi), i thanë: “O ministër! Ne dhe familjen tonë e ka goditur fatkeqësia, dhe kemi sjellë vetëm pak para të pavlera, por na jep masa të plota (furnizimi) dhe bëhu bamirës ndaj nesh, sepse me të vërteë, Allahu i shpërblen bamirësit.”[2]
  3. Ai (Jusufi) tha: “A ju kujtohet çfarë bëtë me Jusufin dhe vëllanë e tij, kur ishit injorantë?”[3]
  4. Ata (vëllezërit) thanë: “A ti je vërtet Jusufi?!” Ai tha: “Po, unë jam Jusufi dhe ky është vëllai im (Beniamini). Allahu na dhuroi mirësi. Vërtet, ai që ruhet dhe duron – pa dyshim se Allahu kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.”[4]
  5. Ata thanë: “Betohemi për Allahun! Vërtet, Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne kemi qenë vërtet mëkatarë.”[5]
  6. Ai (Jusufi) u tha: “Sot nuk ka qortim për ju. Allahu ju faltë; e Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve![6]
  7. Merreni këtë këmishën time dhe vendoseni në fytyrën e babait tim; e atij do t’i kthehet shikimi. Pastaj ejani tek unë me gjithë familjet tuaja!”[7]
  8. Kur karvani doli (nga toka Egjiptit), babai i tyre (Jakubi) tha: “Me të vërtetë, unë po ndiej erën e Jusufit – veç sikur të mos mendonit se kam rrjedhur!”[8]
  9. Ata (të pranishmit) thanë: “Për Allahun! Me të vërtetë, ti vazhdon në lajthitjen tënde të vjetër.”[9]

[1] Pastaj Jakubi ndjeu se Allahu do ia kthente Jusufin dhe bijtë e tij të larguar, kështu që i tha bijve të tij që ishin prezent: «Shkoni përsëri në Egjipt dhe kërkoni për Jusufin dhe vëllanë e tij, Beniaminin, dhe kurrë mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut dhe shpëtimi i Tij, sepse nuk e humb shpresën nga mëshira e Allahut veçse njerëzit mohues të Allahut dhe Fuqisë së Tij.»

[2] Vëllezërit e Jusufit shkuan përsëri në Egjipt dhe hynë përsëri te Jusufi, dhe i thanë: «O ministër! Ne dhe familjen tonë e ka kapur fatkeqësia, thatësira dhe uria, kështu që kemi sjell me vete një sasi të vogël parash që nuk kanë vlerë, në pamundësi që të sjellim më shumë, por ti na jep masa të plota ushqimi për secilin nga ne, dhe bëhu bamirës ndaj nesh, duke i pranuar këto para që kemi dhe duke na e dhënë masën të plotë si më parë, sepse vërtet, Allahu i shpërblen me shpërblim të madh ata që japin lëmoshë dhe janë bamirës ndaj njerëzve në nevojë.»

[3] Kur dëgjoi fjalët e tyre për fatkeqësinë dhe urinë që i kishte kapur, Jusufit i erdhi shumë keq dhe nuk mund ta mbante më të fshehtë identitetin e tij, kështu që i tha atyre: «A ju kujtohet çfarë i bëtë Jusufit dhe vëllait të tij, kur i ndatë ata nga njëri-tjetri dhe kur e hodhët Jusufin në pus dhe e shitët si skllav, në kohën kur ishit injorantë dhe nuk e dinit përfundimin dhe pasojën e veprës suaj?»

[4] Pasi e njohën duke vështruar me kujdes tek ai, pas pyetjes që u bëri, ata donin të siguroheshin, duke i thënë: «A ti je vërtet Jusufi?!» Ai u tha: «Po, unë jam Jusufi dhe ky është vëllai im prej babe dhe nëne, Beniamini. Allahu na dhuroi mirësi duke na bashkuar përsëri. Vërtet, ai që i ruhet Allahut duke iu ruajtur gjynaheve, dhe duron kur preket nga sprovat, pa dyshim se Allahu nuk ia humbet kurrë shpërblimin atij, por e shpërblen atë me shpërblimin më të mirë se veprat që ka bërë.»

[5] Vëllezërit e Jusufit i thanë Jusufit: “Betohemi në Allahun, se Allahu ty të ka ngritur në pozitë, të ka zgjedhur dhe të ka favorizuar mbi ne me dije, urtësi e mirësi, kurse ne kemi qenë vërtet mëkatarë ndaj teje dhe ndaj babait e vëllait tënd, Beniaminit!» Duke shprehur kështu pendesë dhe keqardhje për atë që kishin bërë, dhe njëkohësisht kërkim të ndjesës dhe faljes.

[6] Jusufi i tha vëllezërve të tij të penduar: “Sot nuk ka qortim për ju, sepse ju jeni vëllezërit e mi dhe unë ju fal, dhe lus Allahun që edhe Ai tju falë, sepse Allahu është më i Mëshirshmi nga të gjithë ndaj atyre që pendohen për mëkatet e tyre dhe kthehen në bindjen ndaj Tij.»

[7] Pasi i pyeti për babanë, ata i treguan se atij i kishte ikur shikimi nga mërzitja dhe të qarit për Jusufin, kështu që i tha atyre: «Merreni këtë këmishën time dhe kthehuni te babai, dhe ia vendosni këmishën mbi fytyrë, sepse kështu do t’i kthehet shikimi dhe do të shohë përsëri. Pastaj kthehuni tek unë me gjithë familjet tuaja pa përjashtim.»

[8] Kur karvani me vëllezërit e Jusufit, doli nga toka e Egjiptit në drejtim të Palestinës, Jakubi ndjeu erën e Jusufit dhe të këmishës së Jusufit, dhe u tha njerëzve të shtëpisë që gjendeshin pranë tij: «Me të vërtetë, unë po ndjej erën e Jusufit, dhe sikur të mos mendonit se kam rrjedhur nga trutë, do të më besonit!» Transmetohet se era i kërkoi lejë Zotit të saj që t’ia çonte Jakubit erën e Jusufit para se vëllezërit e Jusufit të mbërrinin tek ai me këmishën e Jusufit, dhe Allahu i dha lejë erës.

[9] Njerëzit e shtëpisë së Jakubit, përveç bijve që ishin të larguar, i thanë Jakubit, kur ai i tha që ndjente erën e Jusufit: «Betohemi për Allahun, se ti vazhdon në lajthitjen dhe gabimin tënd të vjetër prej dashurisë për Jusufin dhe përmendjes së tij, sa që nuk e harron për asnjë çast, dhe kjo gjë të dëmton.»

-246-


  1. Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë, e vendosi këmishën mbi fytyrën e tij (Jakubit), dhe atij iu kthye shikimi. Pastaj ai (Jakubi) tha: “A nuk ju kam thënë se unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini.”[1]
  2. Ata (vëllezërit) thanë: “O babai ynë! Lutu për ne që të na falen mëkatet tona! Me të vërtetë, ne kemi qenë mëkatarë.”[2]
  3. Ai (Jakubi) tha: “Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Me të vërtetë, Ai është Falësi, Mëshirëploti.”[3]
  4. Dhe kur ata hynë te Jusufi, ai i përqafoi me mall prindërit e vet dhe tha: “Hyni në Egjipt, me lejen e Allahut, në siguri të plotë.”[4]
  5. Pastaj i ngriti prindërit e vet dhe i uli mbi fronin e tij, dhe të gjithë ata iu përulën atij në sexhde. Atëherë ai (Jusufi) tha: “O babai im! Ky është interpretimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e bëri atë realitet. Ai më dhuroi vërtet mirësi të madhe, kur më nxori nga burgu, dhe ju solli të gjithëve këtu nga shkretëtira, pasi djalli kishte futur përçarje midis meje dhe vëllezërve të mi. Me të vërtetë, Zoti im është i Butë në përmbushjen e asaj që dëshiron; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti![5]
  6. Zoti im! Ti më dhe nga pushteti dhe më mësove nga interpretimi i ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im në këtë botë dhe në botën tjetër! Bëj që unë të vdes musliman dhe më bashko me njerëzit e mirë!”[6]
  7. Kjo është nga historitë e së fshehtës, që Ne po ta shpallim ty (o Muhamed), sepse ti nuk ishe i pranishëm kur ata ranë dakord për çështjen e tyre, ndërkohë që komplotonin.[7]
  8. Por shumica e njerëzve, sado që të përpiqesh, nuk do të besojnë.[8]

[1] Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë me këmishën e Jusufit – i njëjti vëlla i Jusufit që më parë i solli Jakubit këmishën e Jusufit të lyer me gjak, por që kësaj rradhe donte ta gëzonte për të shlyer atë hidhërimin që i kishte shkaktuar më parë – ia hodhi këmishën e Jusufit mbi fytyrë babait të tij, Jakubit, të cilit iu kthye menjëherë shikimi, dhe tha: «A nuk ju kam thënë vazhdimisht se unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini prej mirësisë, mëshirës dhe bujarisë së Allahut, dhe se Jusufi ishte gjallë?»

[2] Vëllezërit e Jusufit i thanë babait të tyre, Jakubit: “Lute Allahun për ne që të na falë mëkatet tona, sepse ne kemi qenë vërtetë mëkatarë kundrejt Jusufit dhe vëllait të tij, dhe ne e pranojmë mëkatin dhe gabimin, prandaj lute Allahu që të na falë dhe të mos na dënojë në botën tjetër!»

[3] Jakubi (alejhis selam) i tha bijve të tij: “Do ta lus Zotin tim që t’jua falë mëkatet tuaja ndaj meje dhe Jusufit, dhe ta dini se me të vërtetë, Ai është Falësi i mëkateve të atyre që i kthehen Atij me pendim, dhe Mëshirëploti, i Cili nuk dënon për mëkatet pas pendimit dhe kërkimit të faljes për to.» Sipas disa transmetimeve, Jakubi e vonoi lutjen dhe kërkimin e faljes për bijtë e tij deri në kohën para agimit, në një të tretën e fundit të natës, që të ishte më pranë pranimit, ose deri në natën e të premtes, pastaj u bënë gati dhe u nisën për në Egjipt, ku i priste Jusufi dhe paria e pallatit mbretëror.

[4] Jakubi bashkë me të gjithë familjen e tij të madhe, dolën nga Palestina për të shkuar dhe banuar te Jusufi, në Egjipt, dhe kur hynë te Jusufi, në tendën mbretërore që ishte përgatitur për pritjen e tyre, Jusufi i përqafoi fort dhe me mall prindërit e tij, dhe i respektoi e madhëroi shumë ata, pastaj i tha të gjithë familjes së tij që erdhën nga Palestina: «Hyni ne Egjipt, dhe me lejen e Allahut do të jeni të sigurtë nga çdo e keqe e frike prej varfërisë apo urisë!»

[5] Pastaj Jusufi i mori prindërit e vet dhe i uli mbi fronin e tij, përbri tij, dhe atëherë, të gjitha ata, dy prindërit dhe njëmbëdhjetë vëllezërit, iu përulën atij në sexhde, në shenjë respekti dhe nderimi, dhe jo për ta adhuruar, sepse kjo ishte mënyra e përshëndetjes dhe respektimit në atë kohë dhe deri para Islamit, kurse me ardhjen e Islamit, kjo mënyrë e respektimit dhe nderimit të njerëzve me njëri-tjetrin u ndalua, dhe përulja në sexhde duke vendosur kokën në tokë bëhet vetëm për Allahun. Kur pa këtë skenë, Jusufi i tha Jakubit: «O babai im! Ky është interpretimi i ëndrrës sime që të tregova dikur kur isha fëmijë, dhe tani Zoti im e bëri atë realitet. Po kështu, Zoti im më dhuroi mirësi të madhe kur më nxori nga burgu dhe kur ju solli të gjithë juve tek unë nga shkretëtira, pasi që shejtani kishte futur përçarje mes meje dhe vëllezërve të mi. Me të vërtetë, Zotiim është i Butë, i Këndshëm, i Ndjeshëm dhe i Mprehtë në planifikimin dhe përmbushjen e asaj që dëshiron – ashtu si në të gjithë këtë histori; vërtet, Ai është i Gjithëdijshmi për gjendjen dhe të mirën e robërve të Tij, dhe i Urti në fjalët dhe veprat e Tij, duke e vendosur çdo gjë në vendin që i takon.” Vërtet që Jusufi ishte shumë i sjellshëm dhe i dashur me vëllezërit e tij, dhe njëkohësisht i kujdesshëm në fjalët për Zotin e tij; ai nuk e përmendi daljen nga pusi, por vetëm daljen nga burgu, që të mos lëndonte vëllezërit të cilët ishin penduar dhe ai ua kishte falur vërtet, kështu që nuk do ua kujtonte më; dhe po kështu, nuk tha se shejtani i futi xhelozinë dhe urrejtjen vëllezërve të mi për mua, por tha që shejtani futi përçarje mes meje dhe vëllezërve të mi, sikur të ishte edhe ai pjesëmarrës në gabim dhe mëkat. Pa harruar që e gjithë mirësia kthehet te Allahu dhe falënderimi i takon vetëm Atij për gjithçka përgatit për robët e Tij, pa e ndjerë dhe pa e ditur ata. Kohëzgjatja e ndarjes mes Jusufit dhe babait të tij Jakubit ishte rreth 18 vjet ose më shumë, dhe ata qëndruan së bashku për 17 apo 24 vjet në Egjipt. Kur Jakubit iu afrua vdekja, ia la amanet Jusufit që ta varroste pranë babait të tij, Is’hakut, në Palestinë, kështu që kur Jakubi ndëroi jetë, Jusufi e çoi vetë atë në Palestinë dhe e varrosi atje. Pastaj u kthye në Egjipt dhe jetoi aty edhe 23 vjet të tjera. Kur misioni i tij u përmbush dhe ai e ndjeu se iu afrua koha e kthimit te Allahu, iu drejtua Zotit të tij me fjalët e ajetit në vazhdim.

[6] Kur Jusufi (alejhis selam) e ndjeu se iu afrua vdekja, pasi e kishte përmbushur misionin e tij, ai iu drejtua Allahut me këto fjalë: “Zoti im! Mirësitë e tua ndaj meje janë të mëdha: Ti më dhe pushtet në Egjipt, dhe më mësove interpretimin e ëndrrave dhe shumë njohuri e dije të tjera, dhe unë jam mirënjohës dhe falënderues për gjithçka më ke dhuruar! O Krijuesi i qiejve dhe i tokës pa shembull të mëparshëm, Ti je Mbrojtësi dhe Miku im në këtë botë dhe në botën tjetër, prandaj bëj që unë të vdes musliman dhe më bashko me njerëzit e mirë, prej profetëve të pastër dhe të dashurve të tu të zgjedhur!” Kjo lutje e Jusufit ishte për të treguar gjithashtu mbajtjen e amanetit dhe respektin ndaj babait të tij Jakubit, i cili u la amanet bijve të tij në prag të vdekjes, që të mos vdesin ndryshe veçse duke qenë muslimanë – El Bekare, ajeti 132.

[7] Kjo që u përmend në këtë sure nga historia e Jusufit, është nga historitë e së fshehtës dhe të panjohurës së shkuar e të largët, që nuk e ka dëshmuar dhe nuk e di askush nga ata që jetonin në kohën e shpalljes së Kuranit te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), kështu që Muhamedi nuk e dinte dhe nuk mund ta trillonte këtë histori apo Kuranin, siç e akuzonin idhujtarët kurashit, dhe kjo nuk ishte veçse shpallje nga Allahu. Muhamedi nuk ishte i pranishëm kur vëllezërit e Jusufit komplotuan kundër Jusufit dhe vendosën ta hidhnin në pus e ta shisnin, për ta larguar sa më shumë të ishte e mundur nga babai i tij; kështu që ai (Muhamedi) nuk mund ta dijë këtë gjë veçse me anë të shpalljes nga Allahu dhe kjo histori është një provë e qartë për vërtetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

[8] Shumica e idhujtarëve nga populli yt, o Muhamed, sado që të përpiqesh ti që ata të besojnë Allahun dhe të të besojnë e të pasojnë ty në atë që të ka ardhur nga Allahu, ata nuk do të besojnë dhe nuk do të pasojnë ty.

-247-


  1. Ti nuk u kërkon atyre ndonjë shpërblim për këtë; Ai (Kurani) nuk është tjetër veçse kujtesë për të gjithë botët.[1]
  2. Sa e sa shenja gjenden në qiej dhe në Tokë, të cilat ata i kalojnë pa u kushtuar vëmendje![2]
  3. Dhe shumica e tyre nuk besojnë në Allahun, veçse duke i bërë shok Atij në adhurim.[3]
  4. A ndjehen të sigurt ata se nuk do t’iu vijë një katastrofë nga dënimi i Allahut, apo se nuk do t’iu vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të befasishme, ndërkohë që nuk e presin aspak atë?[4]
  5. Thuaj (o Muhamed): “Kjo është rruga ime: të ftoj tek Allahu me dije të sigurtë, unë dhe çdokush që më pason mua. I Lartësuar është Allahu; dhe unë nuk jam prej idhujtarëve!”[5]
  6. Ne nuk kemi dërguar para teje veçse burra nga banorët e qyteteve, të cilëve u zbrisnim shpalljen Tonë. A nuk kanë udhëtuar ata nëpër tokë për të parë se si ka qenë fundi i atyre që kanë qenë para tyre? Pa dyshim, shtëpia e botës tjetër është më e mirë për ata që ruhen. A nuk arsyetoni?[6]
  7. Dhe, kur të dërguarit e humbnin shpresën dhe mendonin se ishin përgënjeshtruar, atëherë u vinte ndihma Jonë dhe shpëtonin ata që donim Ne; kurse dënimi Ynë nuk mund të zmbrapset nga njerëzit keqbërës.[7]
  8. Në historitë e atyre (të dërguarve) ka mësim për njerëzit me arsye. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por është vërtetues i atyre (librave) që janë zbritur para tij, shpjegues i hollësishëm i çdo gjëje dhe udhëzues e mëshirë për njerëzit që besojnë.[8]

[1] Ti, o Muhamed, nuk po i kërkon atyre që mohojnë profetësinë tënde prej idhujtarëve të popullit tënd, ndonjë shpërblim për thirrjen që u bën atyre dhe rrugën e drejtë që u mëson e i drejton, kështu që nuk kanë si të akuzojnë për ndonjë interes, çfarë vërteton profetësinë tënde dhe se ti kërkon vetëm të mirën dhe udhëzimin për ta, ashtu si të ka urdhëruar Zoti yt. Ky Kuran dhe profetësia e thirrja e Muhamedit, janë vetëm kujtesë dhe këshillë për të gjitha botët dhe njerëzit, në çdo vend apo kohë.

[2] Sa e sa shenja, që vërtetojnë fuqinë e Krijuesit të tyre, gjenden në qiej e në Tokë, por që mohuesit i kalojnë ato pa u kushtuar vëmendje, megjithëse i shohin qartë dhe e dinë se ato vërtetojnë fuqinë e Krijuesit Madhështor.

[3] Shumica e njerëzve që i shohin shenjat e Allahut në qiej e në Tokë, por që i kalojnë pa u kushtuar vëmendje, ndoshta e besojnë se ato kanë një Krijues, por megjithatë, ata i shoqërojnë Atij të tjerë në adhurim; pra adhurojnë idhuj e zota të tjerë përkrah Allahut apo në vend të Tij, kështu që nuk i bën dobi besimi i tyre, dhe vendi i tyre do të jetë zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të jenë përgjithmonë.

[4] A ndjejnë siguri mohuesit dhe idhujtarët nga ardhja e një katastrofe që do i përfshijë ata si dënim nga Allahu për shkak të idhujtarisë së tyre, apo a janë të sigurtë se nuk do iu vijë Ora e Kiametit në mënyrë të befasishme, duke qenë të zhytyr në idhujtarinë e tyre dhe në mohimin e Zotit të tyre, dhe duke qenë se nuk e presin aspak të ndodh Kiameti në atë kohë – dhe kështu do të përfundojnë përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit?

[5] Thuaj, o Muhamed: “Kjo është rruga ime: të ftoj tek Allahu, në fenë e Allahut, në Njësimin e Allahut dhe adhurimin vetëm të Atij, pa i shoqëruar asgjë dhe askënd në adhurim, dhe të ftoj në bindjen ndaj Allahut dhe largimin nga ndalesat e Tij; dhe kjo ftesë e thirrje është duke u mbështetur në dije të sigurtë dhe provë të qartë nga Allahu; kjo është rruga ime dhe e të gjithë atyre që do të më pasojnë mua, deri në ditën e Kiametit. I Lartësuar dhe i Pastër është Allahu nga idhujt dhe ortakët që i përshkruajnë idhujtarët, dhe unë jam i pastër nga idhujtaria dhe larg idhujtarëve; as unë nuk jam prej tyre as ata nuk janë prej meje.”

[6] Ne nuk i kemi dërguar njerëzve para teje, o Muhamed, veçse burra të zgjedhur nga banorët e qyteteve të civilizuara, dhe jo nga beduinët apo njerëzit e pacivilizuar, me qëllim që ta kuptonin më mirë shpalljen e Allahut, dhe atyre burrave Allahu u zbriste shpalljen e Tij, dhe ata nuk ishin engjëj dhe nuk kanë qenë nga femrat, por vetëm nga meshkujt. A nuk kanë udhëtuar idhujtarët e Mekes dhe të çdo vendi tjetër, nëpër botë, për të parë se si ka qenë përfundimi i popujve të mëparshëm që përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut, kështu që të marrin mësim dhe të mos bëjnë si ata, se përndryshe do të kenë të njëjtin përfundim në këtë botë dhe dënimin e përhershëm në botën tjetër? Pa dyshim se shpërblimi i botës tjetër është më i mirë se e gjithë kjo botë dhe çfarë ka në të prej pasurive, për ata që besojnë dhe i ruhen Allahut dhe dënimit të Tij. A nuk arsyetojnë ata që mohojnë Allahun dhe që i shoqërojnë ortak Atij në adhurim, që të shohin se kjo që u themi atyre është e vërtetë dhe se fundi i mohuesve është i keq, si në këtë botë edhe në botën tjetër, kështu që të pendohen e të kthehen te Zoti i tyre, në mënyrë që të shpëtojnë?

[7] Mos u mërzit, o Muhamed, dhe mos u nxito në arritjen e fitores kundër përgënjeshtruesve të tu, sepse të dërguarve para teje nuk u vinte fitorja shpejt, por u novohej me qëllim të urtësive që i di Allahu, deri sa të dërguarit e humbnin shpresën se popujt e tyre mund të udhëzoheshin dhe ishin të bindur se ishin përgënjeshtruar nga populli, atëherë atyre u vinte ndihma Jonë, kur ishin në kulmin e vështirësisë, dhe atëherë Ne shpëtonim kë të donim prej pasuesve të të dërguarve bashkë me të dërguarit, kurse dënimi Ynë ndaj njerëzve keqbërës e mohues të Allahut, të cilët guxojnë të flasin kundër Allahut dhe të dërguarve të Tij, nuk mund të zmbrapset nga askush dhe nga asgjë.

[8] Në historinë e Jusufit dhe të dërguarve të tjerë që të kemi treguar ty, o Muhamed, në këtë Kuran, dhe se çfarë i ka ndodhur popujve të tyre mohues e përgënjeshtrues, ka vërtet mësim për njerëzit që kanë arsye dhe mendojnë. Ky Kuran nuk është tregim i trilluar, por Allahu e ka zbritur atë vërtetues të librave qiellor që ka zbritur para tij, sqarues të çdo gjëje për të cilën njerëzit kanë nevojë të dinë për jetën dhe fenë e tyre, për këtë botë dhe botën tjetër, si dhe udhëzues në rrugën e drejtë dhe mëshirë për njerëzit që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, Muhamedin; dhe që zbatojnë urdhrat dhe ndalesat që thuhen në të.

-248-