Cilësitë e Allahut të Lartësuar nuk i përngjajnë atyre të krijesave

 


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


Dijetari i Islamit[1] thotë: Them:

Përderisa njoftimi (Hadithi) i Zbritjes është i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atëherë pasuesit e Sunetit e pohuan atë, e pranuan dhe e aprovuan atë, ashtu si ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata kanë besuar se Zbritja e Allahut nuk është e ngjashme me atë të krijesave të Tij dhe nuk kanë kërkuar për mënyrën e saj, sepse nuk ka absolutisht rrugë për ta njohur atë.

Ata e njohën, e aprovuan dhe besuan se Cilësitë e Allahut të Madhëruar nuk i ngjajnë cilësive të krijesave, ashtu si dhe Qënia e Lartë e Tij, nuk i ngjan qënies së krijesave.

I Lartë është Allahu nga ajo që thonë krahasuesit dhe refuzuesit (e Cilësive të Tij), shumë, shumë i Lartë! Dhe i mallkoftë ata me mallkim të madh!

Kam lexuar në një shkrim të Ebi Abdullah ibën Ebi Hafs el Buhari[2], i cili ka qenë dijetari i Buharës në kohën e tij, pa e tepruar. Ky Ebu Hafsa ka qenë prej nxënësve të mëdhenj të Muhamed ibën Hasen Shejbanit[3]. Ebu Abdullahi, kam për qëllim Ibën Ebi Hafs, thotë: Abdullah ibën Uthman, Abdani, shejhu i Mervit, thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Hasen Esh Shejbani të thotë: Ka thënë Hamad ibën Ebi Hanife (i biri i Ebu Hanifes): U themi të tillëve si këta (ka për qëllim refuzuesit e Cilësive si xhehmijet etj.):

A e keni lexuar Fjalën e Allahut:

“Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Dhe Fjalën e Allahut:

“A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

A vjen Zoti ynë ashtu si ka thënë, apo jo? Dhe a vijnë melekët radhë-radhë, apo jo?

Ata thonë: Sa për melekët, ata vijnë radhë-radhë, ndërsa për Allahun, ne nuk e dimë se çfarë është për qëllim me ajetin dhe nuk e dimë se si vjen!

U themi atyre: Ne nuk iu kemi ngarkuar ju që të mësoni se si vjen, por iu ngarkojmë juve të besoni se Ai vjen. Nëse ndokush do të refuzonte ardhjen e melekëve radhë-radhë, çfarë do të ishte për ju?

Ata thonë: Ai është kafir dhe përgënjeshtrues.

Atëherë u themi: Po ashtu, edhe ai që refuzon se Allahu i Madhëruar vjen, është kafir, përgënjeshtrues.

Gjithashtu Ebu Abdullah ibën Ebi Hafs në librin e tij[4] thotë: Ibrahim ibën el Eshath ka thënë: Kam dëgjuar El Fudajl ibën Ijad të thotë:

“Nëse xhehmiu (refuzuesi i Cilësive të Allahut) të thotë: Unë nuk besoj te ai Zot që del dhe e lë bosh vendin i Tij, atëherë ti thuaji: Unë besoj në Atë Zot që bën ç’të dojë!”[5]


[1] Është për qëllim vetë autori dhe kjo shprehje është e shkruajtësve të librit prej dorëshkrimit, për të dalluar thënësin e fjalës.

[2] Ai është Buhari tjetër dhe jo ai i Sahihut. E ka shoqëruar Buhariun një kohë në kërkimin e dijes. Ka qenë thikah (i besueshëm), imam dhe zahid (asket).

[3] Ai është fakih Hanefi. Ka lindur në Vasit, në Irak, është në Kufa dhe pastaj ka jetuar në Bagdad. E ka dëgjuar Hadithin nga Maliku, el Euzai dhe eth Theuri. Ka shoqëruar Ebu Hanifen dhe e ka marrë fikhun prej tij. Ky është ai që e ka përhapur fikhut e Ebu Hanifes dhe ka qenë gjykatës pas Ebi Jusufit. Ka qenë imam  muxhtehid dhe e ka lavdëruar imam Shafiu, Ahmedi e të tjerë.

[4] Këtë libër nuk e kam gjetur.

[5] Kjo fjalë e Fudajl ibën Ijad është përmendur në kapitullin “Krijimi i veprave të njerëzve” të imam Buhariut por pa zinxhir transmetuesish. E ka nxjerrë gjithashtu me këtë shprehje, imam El Lalikai, në librin “Sherh usuli i’tikadi ehli suneh”.