28. SURJA “EL KASAS”- NGJARJA

(Mekase, 88 ajete)


Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

طسٓمٓ ١

  1. ā Sīn Mīm.[1]

تِلْكَ ءَايَـٰتُ ٱلْكِتَـٰبِ ٱلْمُبِينِ ٢

  1. Këto janë ajetet e Librit të qartë.[2]

نَتْلُوا عَلَيْكَ مِن نَّبَإِ مُوسَىٰ وَفِرْعَوْنَ بِٱلْحَقِّ لِقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ ٣

  1. Ne po të tregojmë ty, (o Muhamed), disa nga ngjarjet e Musait dhe Faraonit, me të vërtetën, për një popull që beson.[3]

إِنَّ فِرْعَوْنَ عَلَا فِى ٱلْأَرْضِ وَجَعَلَ أَهْلَهَا شِيَعًا يَسْتَضْعِفُ طَآئِفَةً مِّنْهُمْ يُذَبِّحُ أَبْنَآءَهُمْ وَيَسْتَحْىِۦ نِسَآءَهُمْ ۚ إِنَّهُۥ كَانَ مِنَ ٱلْمُفْسِدِينَ ٤

  1. Vërtet, Faraoni u madhështua në Tokë dhe i ndau banorët e saj në grupe, duke e përndjekur një grup prej tyre; ua vriste djemtë dhe ua linte gjallë femrat. Vërtet, ai ishte prej ngatërrestarëve (mohues dhe prishës në Tokë).[4]

وَنُرِيدُ أَن نَّمُنَّ عَلَى ٱلَّذِينَ ٱسْتُضْعِفُوا فِى ٱلْأَرْضِ وَنَجْعَلَهُمْ أَئِمَّةً وَنَجْعَلَهُمُ ٱلْوَٰرِثِينَ ٥

  1. Dhe Ne deshëm t’u bëjmë mirë atyre që ishin shtypur në Tokë, t’i bënim ata prijës dhe t’i bënim trashëgimtarë të saj;[5]

[1] Është folur më parë rreth shkronjave të ndara (huruf el-mukatta‘a) në fillim të sures El Bekare.

[2] Këto janë ajetet e Kuranit, që Ne ta kemi zbritur ty – o Muhamed – të qarta dhe sqaruese për gjithçka që u nevojitet robërve në jetën e tyre të kësaj bote dhe në botën tjetër.

[3] Ne do të tregojmë ty, o Muhamed, në këtë sure, disa nga ngjarjet e Musait dhe Faraonit, ashtu si kanë ndodhur në të vërtetë, për një popull që beson në këtë Kuran, e pohon se ai është prej Allahut dhe vepron sipas udhëzimit të tij.

[4] Vërtet, Faraoni u madhështua dhe u bë tiran në tokën e Egjiptit. Ai i ndau banorët e Egjiptit në grupe të ndryshme, duke e nënshtruar dhe skllavëruar njërin prej tyre – bijtë e Izraelit – të cilëve ua therte djemtë dhe i bënte skllave gratë e tyre. Vërtet, ai ishte prej prishësve në Tokë.

[5] Ne deshëm t’u bëjmë mirë atyre që Faraoni i kishte skllavëruar në tokë, t’i bënim ata udhëheqës në të mirë dhe thirrës drejt saj, dhe t’u jepnim trashëgiminë e tokës së Egjiptit dhe Jeruzalemit, pas shkatërrimit të Faraonit dhe popullit të tij;

-385-

وَنُمَكِّنَ لَهُمْ فِى ٱلْأَرْضِ وَنُرِىَ فِرْعَوْنَ وَهَـٰمَـٰنَ وَجُنُودَهُمَا مِنْهُم مَّا كَانُوا يَحْذَرُونَ ٦

  1. dhe t’i forconim ata në tokë; dhe nëpërmjet tyre t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrive të tyre atë së cilës ata i frikësoheshin.[1]

وَأَوْحَيْنَآ إِلَىٰٓ أُمِّ مُوسَىٰٓ أَنْ أَرْضِعِيهِ ۖ فَإِذَا خِفْتِ عَلَيْهِ فَأَلْقِيهِ فِى ٱلْيَمِّ وَلَا تَخَافِى وَلَا تَحْزَنِىٓ ۖ إِنَّا رَآدُّوهُ إِلَيْكِ وَجَاعِلُوهُ مِنَ ٱلْمُرْسَلِينَ ٧

  1. Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Ushqeje atë me gji, dhe kur të kesh frikë për të, hidhe atë në lumë dhe mos ki frikë e mos u hidhëro. Ne, me siguri, do ta kthejmë tek ti dhe do ta bëjmë prej të dërguarve.”[2]

فَٱلْتَقَطَهُۥٓ ءَالُ فِرْعَوْنَ لِيَكُونَ لَهُمْ عَدُوًّا وَحَزَنًا ۗ إِنَّ فِرْعَوْنَ وَهَـٰمَـٰنَ وَجُنُودَهُمَا كَانُوا خَـٰطِـِٔينَ ٨

  1. Atë e gjeti dhe e mori familja e Faraonit, që të bëhej armik dhe shkak pikëllimi për ta. Vërtet, Faraoni, Hamani dhe ushtritë e tyre ishin mëkatarë.[3]

وَقَالَتِ ٱمْرَأَتُ فِرْعَوْنَ قُرَّتُ عَيْنٍۢ لِّى وَلَكَ ۖ لَا تَقْتُلُوهُ عَسَىٰٓ أَن يَنفَعَنَآ أَوْ نَتَّخِذَهُۥ وَلَدًا وَهُمْ لَا يَشْعُرُونَ ٩

  1. Gruaja e Faraonit i tha Faraonit: “Ky është burim gëzimi për mua dhe për ty. Mos e vrisni, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta birësojmë!” Por ata nuk e kuptonin (planin e Allahut).[4]

وَأَصْبَحَ فُؤَادُ أُمِّ مُوسَىٰ فَـٰرِغًا ۖ إِن كَادَتْ لَتُبْدِى بِهِۦ لَوْلَآ أَن رَّبَطْنَا عَلَىٰ قَلْبِهَا لِتَكُونَ مِنَ ٱلْمُؤْمِنِينَ ١٠

  1. Zemra e nënës së Musait u zbraz (nga çdo gjë tjetër përveç shqetësimit për Musain). Ajo gati sa nuk e tregoi (se ishte djali i saj), sikur të mos e kishim forcuar Ne zemrën e saj, që të ishte prej besimtareve.[5]

وَقَالَتْ لِأُخْتِهِۦ قُصِّيهِ ۖ فَبَصُرَتْ بِهِۦ عَن جُنُبٍۢ وَهُمْ لَا يَشْعُرُونَ ١١

  1. Ajo i tha motrës së tij (Musait): “Ndiqe atë (Musain)!” Ajo e shikonte atë nga larg, pa e kuptuar ata (njerëzit e Faraonit).[6]

۞ وَحَرَّمْنَا عَلَيْهِ ٱلْمَرَاضِعَ مِن قَبْلُ فَقَالَتْ هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَىٰٓ أَهْلِ بَيْتٍۢ يَكْفُلُونَهُۥ لَكُمْ وَهُمْ لَهُۥ نَـٰصِحُونَ ١٢

  1. Dhe Ne ia ndaluam Musait mëndeshat më parë, kështu që motra e tij u tha atyre: “A doni t’ju tregoj një familje që do të kujdeset për të me besnikëri?”[7]

فَرَدَدْنَـٰهُ إِلَىٰٓ أُمِّهِۦ كَىْ تَقَرَّ عَيْنُهَا وَلَا تَحْزَنَ وَلِتَعْلَمَ أَنَّ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقٌّ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ ١٣

  1. Kështu, Ne ia kthyem atë nënës së tij, që të gëzohej dhe të mos hidhërohej, dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por shumica e njerëzve nuk e dinë.[8]

[1] Dhe deshëm t’i forconim ata në tokë, për të bërë që Faraoni, Hamani dhe ushtrive të tyre të shihnin nga kjo palë e skllavëruar atë gjë që ata i frikësoheshin: shkatërrimin e tyre, humbjen e mbretërisë së tyre dhe dëbimin nga vendbanimet e tyre me dorën e një të linduri prej bijve të Izraelit, Musait (alejhis selam).

[2] Ne i frymëzuam nënës së Musait, kur e lindi dhe pati frikë se mos Faraoni e therte ashtu siç bënte me djemtë e bijve të Izraelit: “Jepi gji me qetësi, por nëse frikësohesh se do të zbulohet, vendose në një arkë dhe hidhe në Nil, pa pasur frikë se Faraoni dhe populli i tij do ta vrasin, e pa u hidhëruar për ndarjen nga ai. Ne, me siguri, do ta kthejmë djalin tënd tek ti dhe do ta bëjmë të dërguar.”

[3] Kështu, ajo e vuri Musain në arkë dhe e hodhi arkën në Nil. Shërbëtorët e Faraonit e gjetën dhe e morën. Por përfundimi i kësaj ishte se Allahu e bëri atë armik dhe shkak pikëllimi për ta, dhe shkatërrimi i tyre ndodhi me dorën e tij. Vërtet, Faraoni, Hamani dhe ushtritë e tyre ishin mëkatarë dhe idhujtarë.

[4] Dhe gruaja e Faraonit i tha Faraonit: “Ky fëmijë do të jetë burim gëzimi për mua dhe për ty. Mos e vrisni; ndoshta do të kemi dobi prej tij ose do ta birësojmë si djalin tonë.” Por Faraoni dhe njerëzit e tij nuk e kuptonin se shkatërrimi i tyre do të vinte nga duart e tij.

[5] Zemra e nënës së Musait mbeti bosh nga çdo gjë tjetër në botë, përveç shqetësimit për Musain dhe përmendjes së tij. Ajo ishte gati ta shpallte hapur se ai ishte djali i saj, sikur të mos e kishim forcuar Ne me durim. Kështu ajo duroi dhe nuk e zbuloi, që të ishte prej besimtareve të bindura në premtimin e Allahut.

[6] Nëna e Musait i tha motrës së tij, kur e hodhi atë në lumë: “Ndiq gjurmët e Musait, që të shohësh ç’do të bëhet me të.” Atëherë ajo e ndoqi nga pas dhe e pa prej larg, ndërsa populli i Faraonit nuk e dinte se ajo ishte motra e tij dhe se po e ndiqte për të mësuar lajmet e tij.

[7] Dhe Ne ia ndaluam Musait të pranonte mëndeshat e huaja (gratë që u japin gji fëmijëve të huaj deri sa të rriten), para se ta kthenim tek nëna e tij. Atëherë motra e tij, e cila e kishte ndjekur Musain me arkën dhe e dinte që ishte te familja e Faraonit, i tha familjes apo gruas së Faraonit: “A doni t’ju tregoj një familje që do ta rrisë dhe do ta ushqejë me mëshirë e kujdes për të?” Ata pranuan dhe ranë dakord me propozimin e saj.

[8] Dhe Ne e kthyem Musain tek nëna e tij, që të gëzohej zemra e saj me të dhe ta plotësonim premtimin që i kishim dhënë: se do t’i kthehej i shpëtuar nga vrasja e Faraonit, e të mos pikëllohej për ndarjen me të. Dhe që ajo të dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë, se Ai do ta bënte atë prej të dërguarve. Vërtet, Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, por shumica e idhujtarëve nuk e dinë se premtimi i Allahut është i vërtetë.

-386-

وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُۥ وَٱسْتَوَىٰٓ ءَاتَيْنَـٰهُ حُكْمًا وَعِلْمًا ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْمُحْسِنِينَ ١٤

  1. Dhe, kur ai (Musai) arriti fuqinë dhe pjekurinë e plotë, Ne i dhamë urtësi dhe dije. Kështu i shpërblejmë Ne ata që veprojnë mirë.[1]

وَدَخَلَ ٱلْمَدِينَةَ عَلَىٰ حِينِ غَفْلَةٍۢ مِّنْ أَهْلِهَا فَوَجَدَ فِيهَا رَجُلَيْنِ يَقْتَتِلَانِ هَـٰذَا مِن شِيعَتِهِۦ وَهَـٰذَا مِنْ عَدُوِّهِۦ ۖ فَٱسْتَغَـٰثَهُ ٱلَّذِى مِن شِيعَتِهِۦ عَلَى ٱلَّذِى مِنْ عَدُوِّهِۦ فَوَكَزَهُۥ مُوسَىٰ فَقَضَىٰ عَلَيْهِ ۖ قَالَ هَـٰذَا مِنْ عَمَلِ ٱلشَّيْطَـٰنِ ۖ إِنَّهُۥ عَدُوٌّ مُّضِلٌّ مُّبِينٌ ١٥

  1. Një ditë, Musai hyri në qytet në një kohë pavëmendësie nga banorët e tij. Atje gjeti dy burra duke u zënë; njëri ishte nga populli i tij, kurse tjetri nga armiqtë e tij. Ai që ishte nga populli i tij i kërkoi ndihmë kundër atij që ishte nga armiqtë e tij. Musai e goditi atë me grusht, dhe e vrau. Pastaj tha: “Kjo është nga vepra e djallit; vërtet, ai është armik i hapur dhe mashtrues.”[2]

قَالَ رَبِّ إِنِّى ظَلَمْتُ نَفْسِى فَٱغْفِرْ لِى فَغَفَرَ لَهُۥٓ ۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ ١٦

  1. Pastaj u lut: “Zoti im, unë i bëra padrejtësi vetes, prandaj më fal!” Dhe Allahu ia fali atij. Vërtet, Ai është Falësi, Mëshirëploti.[3]

قَالَ رَبِّ بِمَآ أَنْعَمْتَ عَلَىَّ فَلَنْ أَكُونَ ظَهِيرًا لِّلْمُجْرِمِينَ ١٧

  1. Pastaj (Musai) tha: “Zoti im, për mirësinë që më ke dhënë, unë kurrë nuk do të jem ndihmës i kriminelëve.”[4]

فَأَصْبَحَ فِى ٱلْمَدِينَةِ خَآئِفًا يَتَرَقَّبُ فَإِذَا ٱلَّذِى ٱسْتَنصَرَهُۥ بِٱلْأَمْسِ يَسْتَصْرِخُهُۥ ۚ قَالَ لَهُۥ مُوسَىٰٓ إِنَّكَ لَغَوِىٌّ مُّبِينٌ ١٨

  1. Të nesërmen, ai ecte në qytet i frikësuar, duke vëzhguar. Papritmas, ai që dje i kërkoi ndihmë, përsëri po e thërriste me britma për ndihmë. Musai i tha: “Ti je me të vërtetë një njeri i devijuar i qartë.”[5]

فَلَمَّآ أَنْ أَرَادَ أَن يَبْطِشَ بِٱلَّذِى هُوَ عَدُوٌّ لَّهُمَا قَالَ يَـٰمُوسَىٰٓ أَتُرِيدُ أَن تَقْتُلَنِى كَمَا قَتَلْتَ نَفْسًۢا بِٱلْأَمْسِ ۖ إِن تُرِيدُ إِلَّآ أَن تَكُونَ جَبَّارًا فِى ٱلْأَرْضِ وَمَا تُرِيدُ أَن تَكُونَ مِنَ ٱلْمُصْلِحِينَ ١٩

  1. Dhe kur Musai deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai (izraeliti) tha: “O Musa, a do të më vrasësh mua, siç vrave një njeri dje? Ti nuk do gjë tjetër, veçse të bëhesh tiran në Tokë, dhe nuk dëshiron të jesh prej pajtuesve.”[6]

وَجَآءَ رَجُلٌ مِّنْ أَقْصَا ٱلْمَدِينَةِ يَسْعَىٰ قَالَ يَـٰمُوسَىٰٓ إِنَّ ٱلْمَلَأَ يَأْتَمِرُونَ بِكَ لِيَقْتُلُوكَ فَٱخْرُجْ إِنِّى لَكَ مِنَ ٱلنَّـٰصِحِينَ ٢٠

  1. Në ato çaste, një burrë erdhi me nxitim nga skaji më i largët i qytetit, dhe tha: “O Musa, paria po konsultohen për ty, që të të vrasin. Prandaj, dil nga qyteti; unë jam këshillues i sinqertë për ty.”[7]

فَخَرَجَ مِنْهَا خَآئِفًا يَتَرَقَّبُ ۖ قَالَ رَبِّ نَجِّنِى مِنَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٢١

  1. Atëherë Musai doli nga qyteti i frikësuar, duke vëzhguar, dhe u lut: “Zoti im, më shpëto nga populli i padrejtë!”[8]

[1] Dhe, kur Musai arriti fuqinë e tij dhe u përsos mendja e tij, Ne i dhamë urtësi dhe dije, me të cilat njihte dispozitat hyjnore. Ashtu si e shpërblyem Musain për bindjen dhe mirësinë e tij, Ne shpërblejmë këdo prej robërve Tanë që vepron mirë.

[2] Një ditë, Musai hyri në qytet fshehurazi, në një kohë pakujdesie të banorëve të tij, . Atje gjeti dy burra duke u zënë: njëri ishte nga populli i Musait, prej bijve të Izraelit, kurse tjetri nga populli i Faraonit. Ai që ishte nga populli i Musait kërkoi ndihmën e tij kundër armikut të vet. Atëherë Musai e goditi me grusht dhe ai vdiq. Musai tha kur e vrau: “Kjo është nga nxitjet e shejtanit, i cili më ndezi zemërimin, derisa e godita këtë dhe ai u shua. Vërtet, shejtani është armik i njeriut, e shmang nga rruga e drejtë dhe është armik i hapur.” Ky veprim i Musait (paqja qoftë mbi të) ndodhi para se t’i jepej profetësia.

[3] Pastaj Musai tha: “Zoti im, unë i kam bërë padrejtësi vetes sime, duke vrarë një njeri që Ti nuk më urdhërove ta vras, prandaj më fal këtë mëkat!” Atëherë Allahu ia fali atij. Vërtet, Allahu është Falës i madh për mëkatet e robërve të Tij dhe Mëshirëplotë ndaj tyre.

[4] Musai tha: “Zoti im, meqë më dhurove pendimin, faljen dhe shumë mirësi, unë kurrë nuk do të jem ndihmës i askujt në mëkatin dhe krimin e tij.”

[5] Të nesërmen, Musai ecte në qytetin e Faraonit i frikësuar, duke pritur e dëgjuar se çfarë flisnin njerëzit për të dhe për njeriun që kishte vrarë. Atëherë ai pa atë që kishte ndihmuar një ditë më parë duke u zënë përsëri me një egjiptian tjetër dhe po kërkonte prej tij ndihmë. Musai i tha: “Ti je vërtet njeri shumë i devijuar dhe ngatërrestar i qartë.”

[6] Kur Musai deshi ta godiste egjiptianin, ezraeliti kujtoi se donte të godiste atë, prandaj tha: “A do të më vrasësh mua, ashtu si vrave një njeri dje? Ti nuk dëshiron gjë tjetër veçse të bëhesh tiran në tokë, dhe nuk dëshiron të jesh prej atyre që bëjnë pajtim ndërmjet njerëzve.” Dhe egjiptiani e dëgjoi këtë fjalë dhe kuptoi se vrasësi i atij që u vra dje ishte Musai. Atëherë ai shkoi menjëherë te Faraoni dhe e njoftoi për këtë. Faraoni urdhëroi ekzekutorët që ta vrisnin Musain, dhe ata dolën nëpër rrugë për ta kapur.

[7] Në ato çaste, një burrë (i cili ishte ai besimtari që besoi nga njerëzit e Faraonit) erdhi nga skaji i qytetit, duke nxituar, e tha: “O Musa, paria e popullit të Faraonit po bëjnë marrëveshje dhe po këshillohen për të të vrarë. Prandaj dil nga ky qytet. Unë jam për ty prej këshilltarëve të sinqertë dhe të mëshirshëm.”

[8] Atëherë Musai doli nga qyteti i Faraonit i frikësuar, duke pritur që ndjekësit ta arrinin dhe ta kapnin. Dhe atëherë iu lut Allahut: “O Zoti im, më shpëto nga ky popull mizor!”

-387-

وَلَمَّا تَوَجَّهَ تِلْقَآءَ مَدْيَنَ قَالَ عَسَىٰ رَبِّىٓ أَن يَهْدِيَنِى سَوَآءَ ٱلسَّبِيلِ ٢٢

  1. Ndërsa ishte nisur në drejtim të Medjenit, tha: “Shpresoj që Zoti im të më udhëzojë në rrugën e drejtë!”[1]

وَلَمَّا وَرَدَ مَآءَ مَدْيَنَ وَجَدَ عَلَيْهِ أُمَّةً مِّنَ ٱلنَّاسِ يَسْقُونَ وَوَجَدَ مِن دُونِهِمُ ٱمْرَأَتَيْنِ تَذُودَانِ ۖ قَالَ مَا خَطْبُكُمَا ۖ قَالَتَا لَا نَسْقِى حَتَّىٰ يُصْدِرَ ٱلرِّعَآءُ ۖ وَأَبُونَا شَيْخٌ كَبِيرٌ ٢٣

  1. Kur arriti te pusi i Medjenit, gjeti aty një grup njerëzish që po u jepnin të pinin bagëtive të tyre. Përveç tyre, vuri re dy vajza që i mbanin larg delet e tyre. I pyeti ato: “Cili është problemi juaj?” Ato thanë: “Ne nuk mund t’i japim ujë deleve tona derisa të largohen barinjtë – ndërsa babai ynë është shumë i moshuar.”[2]

فَسَقَىٰ لَهُمَا ثُمَّ تَوَلَّىٰٓ إِلَى ٱلظِّلِّ فَقَالَ رَبِّ إِنِّى لِمَآ أَنزَلْتَ إِلَىَّ مِنْ خَيْرٍۢ فَقِيرٌ ٢٤

  1. Atëherë Musai u dha ujë bagëtive të tyre, pastaj u kthye te një hije dhe u lut: “Zoti im, unë kam nevojë për çdo të mirë që Ti të më zbresësh.”[3]

فَجَآءَتْهُ إِحْدَىٰهُمَا تَمْشِى عَلَى ٱسْتِحْيَآءٍۢ قَالَتْ إِنَّ أَبِى يَدْعُوكَ لِيَجْزِيَكَ أَجْرَ مَا سَقَيْتَ لَنَا ۚ فَلَمَّا جَآءَهُۥ وَقَصَّ عَلَيْهِ ٱلْقَصَصَ قَالَ لَا تَخَفْ ۖ نَجَوْتَ مِنَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٢٥

  1. Veç kur njëra prej dy vajzave erdhi tek ai duke ecur me ndrojtje e turp dhe tha: “Babai im të fton që të të shpërblejë për ujin që i dhe tufës sonë.” Kur erdhi te babai i saj dhe i tregoi ngjarjen, ai i tha: “Mos ki frikë! Shpëtove nga populli i padrejtë.”[4]

قَالَتْ إِحْدَىٰهُمَا يَـٰٓأَبَتِ ٱسْتَـْٔجِرْهُ ۖ إِنَّ خَيْرَ مَنِ ٱسْتَـْٔجَرْتَ ٱلْقَوِىُّ ٱلْأَمِينُ ٢٦

  1. Njëra prej dy vajzave i tha babait: “O babai im, merre në punë atë. Vërtet, më i miri që mund të marrësh në punë është ai që është i fortë dhe i besueshëm.”[5]

قَالَ إِنِّىٓ أُرِيدُ أَنْ أُنكِحَكَ إِحْدَى ٱبْنَتَىَّ هَـٰتَيْنِ عَلَىٰٓ أَن تَأْجُرَنِى ثَمَـٰنِىَ حِجَجٍۢ ۖ فَإِنْ أَتْمَمْتَ عَشْرًا فَمِنْ عِندِكَ ۖ وَمَآ أُرِيدُ أَنْ أَشُقَّ عَلَيْكَ ۚ سَتَجِدُنِىٓ إِن شَآءَ ٱللَّهُ مِنَ ٱلصَّـٰلِحِينَ ٢٧

  1. Ai tha: “Unë dua të të jap për grua njërën nga dy vajzat e mia, me kusht që të punosh për mua tetë vjet. Nëse i plotëson dhjetë, kjo do të jetë një nder nga ana jote, por nuk dua të ta vështirësoj. Do të më gjesh, nëse do Allahu, prej njerëzve të mirë.”[6]

قَالَ ذَٰلِكَ بَيْنِى وَبَيْنَكَ ۖ أَيَّمَا ٱلْأَجَلَيْنِ قَضَيْتُ فَلَا عُدْوَٰنَ عَلَىَّ ۖ وَٱللَّهُ عَلَىٰ مَا نَقُولُ وَكِيلٌ ٢٨

  1. Musai tha: “Kjo (që the) është marrëveshja mes meje dhe teje. Cilindo prej dy afateve që të plotësoj, nuk do të ketë detyrim shtesë mbi mua. Dhe Allahu është Dëshmitar për atë që themi.”[7]

[1] Ndërsa Musai u drejtua drejt vendit të Medjenit, duke dalë nga territori i sunduar nga Faraoni, tha: “Shpresoj që Zoti im të më udhëzojë në rrugën më të mirë që të më çojë në Medjen!”

[2] Dhe kur Musai arriti te pusi i Medjenit, gjeti aty një grup njerëzish që po u jepnin të pinin bagëtive të tyre. Përveç tyre, gjeti dy vajza të veçuara nga njerëzit, që mbanin larg tufën e tyre nga uji, sepse nuk donin të përziheshin me burrat. Ato prisnin derisa të largoheshin bagëtitë e burrave, pastaj t’u jepnin ujë kafshëve të tyre. Kur Musai i pa, iu dhimbsën, dhe shkoi t’i pyeste: “Cili është problemi juaj?” Ato thanë: “Ne nuk mund të përziehemi me burrat, dhe nuk u japim ujë bagëtive tona derisa të kenë mbaruar ata. Babai ynë është një njeri shumë i moshuar, i dobët dhe nuk mund të vijë e t’u japë ai ujë deleve.”

[3] Atëherë Musai u dha ujë bagëtive të dy vajzave, pastaj u tërhoq dhe u ul nën hijen e një peme për të pushuar. Aty u lut: “Zoti im, unë jam vërtet i varfër dhe i nevojshëm për çdo të mirë që Ti do të më dërgosh, qoftë edhe pak ushqim.” Dhe në atë kohë e kishte kapluar uri e madhe.

[4] Atëherë erdhi njëra nga dy vajzat, bagëtive të të cilave Musai u kishte dhënë ujë, duke ecur me ndrojtje dhe me turp, duke mbuluar fytyrën me rrobën e saj, dhe i tha: “Im atë të thërret, që të të shpërblejë për atë që i dhe të pinë bagëtive tona.” Musai shkoi bashkë me të tek babai i saj, dhe kur arriti aty, i tregoi atij ngjarjen e tij me Faraonin dhe popullin e tij. Babai i saj i tha: “Mos ki frikë, ti ke shpëtuar tashmë nga populli mizor, Faraoni dhe njerëzit e tij, sepse ata nuk kanë pushtet mbi tokën tonë.”

[5] Njëra nga dy vajzat i tha babait të saj: “O babai im, merre në punë atë (Musain) që të të ruajë bagëtinë; sepse më i miri që mund të marrësh në punë është ai që është i fortë për të mbrojtur tufën dhe i besueshëm, tek i cili nuk ke frikë për tradhti në atë që ia beson.”

[6] Babai i tyre i tha Musait: “Unë dua të ta jap për grua njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të punosh për mua si bari i bagëtive të mia për tetë vjet. Nëse i plotëson dhjetë, kjo do të jetë nga mirësia jote. Unë nuk dua të të vë në vështirësi duke e bërë të detyrueshme dhjetëshin. Do të më gjesh, nëse do Allahu, prej njerëzve të mirë, në shoqëri të mirë dhe në përmbushjen e asaj që thashë.”

[7] Musai tha: “Kjo që the është marrëveshja mes meje dhe teje. Cilindo prej dy afateve që ta plotësoj, do ta kem përmbushur marrëveshjen dhe nuk do të më kërkohet më tepër se aq. Dhe Allahu është Dëshmitar e Mbikëqyrës mbi atë që themi; Ai ruan dhe di gjithçka për çka jemi zotuar.”

-388-

۞ فَلَمَّا قَضَىٰ مُوسَى ٱلْأَجَلَ وَسَارَ بِأَهْلِهِۦٓ ءَانَسَ مِن جَانِبِ ٱلطُّورِ نَارًۭا قَالَ لِأَهْلِهِ ٱمْكُثُوٓا إِنِّىٓ ءَانَسْتُ نَارًۭا لَّعَلِّىٓ ءَاتِيكُم مِّنْهَا بِخَبَرٍ أَوْ جَذْوَةٍۢ مِّنَ ٱلنَّارِ لَعَلَّكُمْ تَصْطَلُونَ ٢٩

  1. Kur Musai e plotësoi afatin dhe u largua me familjen e tij, vuri re një zjarr nga ana e malit Tur dhe i tha familjes së vet: “Qëndroni këtu, se pashë një zjarr! Ndoshta do t’ju sjell prej tij ndonjë lajm, ose ndonjë pishtar nga zjarri, që të ngroheni.”[1]

فَلَمَّآ أَتَىٰهَا نُودِىَ مِن شَـٰطِئِ ٱلْوَادِ ٱلْأَيْمَنِ فِى ٱلْبُقْعَةِ ٱلْمُبَـٰرَكَةِ مِنَ ٱلشَّجَرَةِ أَن يَـٰمُوسَىٰٓ إِنِّىٓ أَنَا ٱللَّهُ رَبُّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ٣٠

  1. Kur arriti te zjarri, u thirr nga ana e djathtë e luginës, në vendin e bekuar, nga pema: “O Musa, unë jam Allahu, Zoti i botëve![2]

وَأَنْ أَلْقِ عَصَاكَ ۖ فَلَمَّا رَءَاهَا تَهْتَزُّ كَأَنَّهَا جَآنٌّۭ وَلَّىٰ مُدْبِرًۭا وَلَمْ يُعَقِّبْ ۚ يَـٰمُوسَىٰٓ أَقْبِلْ وَلَا تَخَفْ ۖ إِنَّكَ مِنَ ٱلْـَٔامِنِينَ ٣١

  1. Hidhe shkopin tënd!” Por kur e pa atë duke lëvizur sikur të ishte një gjarpër, iku me vrap, pa u kthyer pas. – “O Musa, afrohu dhe mos ki frikë! Vërtet, ti je prej të sigurtëve.[3]

ٱسْلُكْ يَدَكَ فِى جَيْبِكَ تَخْرُجْ بَيْضَآءَ مِنْ غَيْرِ سُوٓءٍۢ وَٱضْمُمْ إِلَيْكَ جَنَاحَكَ مِنَ ٱلرَّهْبِ ۖ فَذَٰنِكَ بُرْهَـٰنَانِ مِن رَّبِّكَ إِلَىٰ فِرْعَوْنَ وَمَلَإِيهِۦٓ ۚ إِنَّهُمْ كَانُوا قَوْمًۭا فَـٰسِقِينَ ٣٢

  1. Fute dorën tënde në gjoksin tënd – ajo do të dalë e bardhë, pa ndonjë të metë; dhe shtrëngoje krahun tënd pas vetes, për të larguar frikën. Këto janë dy prova nga Zoti yt për Faraonin dhe parinë e tij. Vërtet, ata janë një popull i pabindur.”[4]

قَالَ رَبِّ إِنِّى قَتَلْتُ مِنْهُمْ نَفْسًۭا فَأَخَافُ أَن يَقْتُلُونِ ٣٣

  1. Musai tha: “Zoti im, unë kam vrarë një njeri prej tyre, dhe frikësohem se do të më vrasin.[5]

وَأَخِى هَـٰرُونُ هُوَ أَفْصَحُ مِنِّى لِسَانًۭا فَأَرْسِلْهُ مَعِىَ رِدْءًۭا يُصَدِّقُنِىٓ ۖ إِنِّىٓ أَخَافُ أَن يُكَذِّبُونِ ٣٤

  1. Dhe vëllai im, Haruni, është më i rrjedhshëm se unë në të folur, prandaj dërgoje atë bashkë me mua si ndihmës, që të më mbështesë në atë që them. Unë kam vërtet frikë se do të më përgënjeshtrojnë.”[6]

قَالَ سَنَشُدُّ عَضُدَكَ بِأَخِيكَ وَنَجْعَلُ لَكُمَا سُلْطَـٰنًۭا فَلَا يَصِلُونَ إِلَيْكُمَا ۚ بِـَٔايَـٰتِنَآ أَنتُمَا وَمَنِ ٱتَّبَعَكُمَا ٱلْغَـٰلِبُونَ ٣٥

  1. Allahu tha: “Ne do të forcojmë ty me vëllain tënd dhe do t’ju japim të dyve autoritet, kështu që ata nuk do të arrijnë tek ju. Me provat Tona, ju dhe ata që ju ndjekin, do të jeni fitimtarë.”[7]

[1] Kur i Dërguari i Allahut, Musai – paqja qoftë mbi të – ia plotësoi mikut të tij afatin prej dhjetë vitesh, që ishte më i ploti prej dy afateve, u largua me familjen e tij drejt Egjiptit. Rrugës vuri re një zjarr nga ana e malit Tûr dhe u tha familjarëve të tij: “Qëndroni pak këtu dhe më prisni, sepse pashë një zjarr; ndoshta do t’ju sjell prej tij ndonjë lajm, ose do t’ju sjell një pishtar nga ai zjarr që të ngroheni me të.”

[2] Kur Musai arriti te zjarri, Allahu e thirri nga ana e djathtë e luginës, në vendin e bekuar, nga ana e pemës: “O Musa, unë jam Allahu, Zoti i botëve.

[3] Hidhe shkopin tënd!” Musai e hodhi atë, dhe shkopi u shndërrua në një gjarpër që lëvizte. Kur Musai e pa atë duke u përpëlitur sikur të ishte një gjarpër i shpejtë, u kthye duke ikur i frikësuar, pa u kthyer pas. Atëherë Zoti i tij e thirri: “O Musa, afrohu tek Unë dhe mos ki frikë, sepse ti je prej atyre që janë të sigurt nga çdo e keqe.”

[4] Fute dorën tënde në hapësirën e këmishës sate në gjoks dhe nxirre – ajo do të dalë e bardhë si bora, pa ndonjë sëmundje a lebrozë. Dhe mblidhe pranë vetes dorën tënde, që të jesh i qetë nga frika. Këto dy që t’i tregova, o Musa – shndërrimi i shkopit në gjarpër dhe dalja e dorës së bardhë e ndritshme pa sëmundje – janë dy shenja nga Zoti yt për Faraonin dhe parinë e popullit të tij. Vërtet, Faraoni dhe paria e tij ishin një popull mohues, i pabindur.

[5] Musai tha: “Zoti im, unë kam vrarë një njeri nga populli i Faraonit dhe frikësohem se do të më vrasin.

[6] Dhe vëllai im, Haruni, është më i rrjedhshëm se unë në të folur, prandaj dërgoje atë bashkë me mua si ndihmës, që të më përforcojë dhe të më mbështesë në atë që them, dhe kështu t’ua shpjegojë atyre më qartë atë që u them. Vërtet, unë frikësohem se ata do të më përgënjeshtrojnë kur t’u them se jam i dërguar tek ata.”

[7] Allahu i tha Musait: “Ne do të të forcojmë me vëllain tënd dhe do t’ju japim juve të dyve një autoritet dhe argument të fuqishëm kundër Faraonit dhe popullit të tij, kështu që ata nuk do të mund t’ju arrijnë me ndonjë të keqe. Ju të dy – o Musa dhe Harun – dhe kush beson me ju, do të jeni fitimtarë mbi Faraonin dhe popullin e tij, falë provave dhe shenjave Tona dhe asaj që ato tregojnë nga e vërteta.”

-389-

فَلَمَّا جَآءَهُم مُّوسَىٰ بِـَٔايَـٰتِنَا بَيِّنَـٰتٍۢ قَالُوا مَا هَـٰذَآ إِلَّا سِحْرٌۭ مُّفْتَرًۭى وَمَا سَمِعْنَا بِهَـٰذَا فِىٓ ءَابَآئِنَا ٱلْأَوَّلِينَ ٣٦

  1. Kur Musai u solli atyre shenjat Tona të qarta, ata thanë: “Kjo nuk është tjetër veçse një magji e trilluar. Ne nuk kemi dëgjuar kurrë diçka të tillë tek etërit tanë të hershëm.”[1]

وَقَالَ مُوسَىٰ رَبِّىٓ أَعْلَمُ بِمَن جَآءَ بِٱلْهُدَىٰ مِنْ عِندِهِۦ وَمَن تَكُونُ لَهُۥ عَـٰقِبَةُ ٱلدَّارِ ۖ إِنَّهُۥ لَا يُفْلِحُ ٱلظَّـٰلِمُونَ ٣٧

  1. Musai tha: “Zoti im e di më mirë se kush ka ardhur me udhëzimin prej Tij dhe kush do të ketë përfundimin e mirë në botën tjetër. Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë kurrë.”[2]

وَقَالَ فِرْعَوْنُ يَـٰٓأَيُّهَا ٱلْمَلَأُ مَا عَلِمْتُ لَكُم مِّنْ إِلَـٰهٍ غَيْرِى فَأَوْقِدْ لِى يَـٰهَـٰمَـٰنُ عَلَى ٱلطِّينِ فَٱجْعَل لِّى صَرْحًۭا لَّعَلِّىٓ أَطَّلِعُ إِلَىٰٓ إِلَـٰهِ مُوسَىٰ وَإِنِّى لَأَظُنُّهُۥ مِنَ ٱلْكَـٰذِبِينَ ٣٨

  1. Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër përveç meje. O Haman! Më ndiz zjarrin mbi baltë (për të pjekur tulla) e ndërto për mua një kullë të lartë, që ndoshta (të ngjitem e) të shoh Zotin e Musait. Por unë e shoh atë si një gënjeshtar.”[3]

وَٱسْتَكْبَرَ هُوَ وَجُنُودُهُۥ فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَظَنُّوٓا أَنَّهُمْ إِلَيْنَا لَا يُرْجَعُونَ ٣٩

  1. Ai (Faraoni), bashkë me ushtrinë e tij, u treguan mendjemëdhenj në Tokë, padrejtësisht, dhe menduan se nuk do të kthehen kurrë tek Ne.[4]

فَأَخَذْنَـٰهُ وَجُنُودَهُۥ فَنَبَذْنَـٰهُمْ فِى ٱلْيَمِّ ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٤٠

  1. Prandaj Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij, dhe i hodhëm në det. Shiko pra se si ishte fundi i mizorëve![5]

وَجَعَلْنَـٰهُمْ أَئِمَّةًۭ يَدْعُونَ إِلَى ٱلنَّارِ ۖ وَيَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ لَا يُنصَرُونَ ٤١

  1. Dhe Ne i bëmë ata udhëheqës që thërrisnin për në Zjarr, ndërsa në Ditën e Kiametit nuk do të ndihmohen.[6]

وَأَتْبَعْنَـٰهُمْ فِى هَـٰذِهِ ٱلدُّنْيَا لَعْنَةًۭ ۖ وَيَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ هُم مِّنَ ٱلْمَقْبُوحِينَ ٤٢

  1. Ne i ndoqëm ata me mallkim në këtë botë, ndërsa Ditën e Kiametit, ata do të jenë nga të përçmuarit.[7]

وَلَقَدْ ءَاتَيْنَا مُوسَى ٱلْكِتَـٰبَ مِنۢ بَعْدِ مَآ أَهْلَكْنَا ٱلْقُرُونَ ٱلْأُولَىٰ بَصَآئِرَ لِلنَّاسِ وَهُدًۭى وَرَحْمَةًۭ لَّعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ ٤٣

  1. Ne i dhamë Musait Librin – pasi i kishim shkatërruar popujt e mëparshëm – si dritë për njerëzit, udhëzim dhe mëshirë, në mënyrë që të kujtonin.[8]

[1] Kur Musai erdhi te Faraoni dhe paria e tij me argumentet dhe provat Tona, që dëshmonin për vërtetësinë e asaj që kishte sjellë nga Zoti i tij, ata i thanë Musait: “Kjo që na solle nuk është tjetër veçse magji që ti e ke trilluar me gënjeshtër dhe të pavërtetë. Dhe për këtë që na thërret ti, nuk kemi dëgjuar tek të parët tanë që kanë qenë para nesh.”

[2] Musai i tha Faraonit: “Zoti im e di më mirë se kush nga ne është në të drejtën, kush ka ardhur me udhëzimin prej Tij dhe kush do të ketë fundin e lavdishëm në botën tjetër. Vërtet, mizorët nuk do ta arrijnë kurrë atë që dëshirojnë.”

[3] Faraoni i tha parisë së popullit të tij: “O pari, unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër që meriton adhurim përveç meje. Prandaj, o Haman, ndiz zjarr mbi baltë derisa të forcohet (piq tulla balte), dhe më ndërto një kullë të lartë, që ndoshta të shoh këtë Zot të Musait, të cilin ai e adhuron dhe thërret për adhurimin e Tij. Unë mendoj se ai është gënjeshtar në ato që thotë.”

[4] Faraoni me ushtritë e tij u treguan mendjemëdhenj në tokën e Egjiptit, pa të drejtë, duke e mohuar Musain dhe duke mos e ndjekur në atë që i thërriste. Ata menduan se pas vdekjes së tyre nuk do të ringjalleshin.

[5] Atëherë Ne e kapëm Faraonin dhe ushtritë e tij, dhe i hodhëm të gjithë në det duke i mbytur. Shiko pra, o i Dërguar, se si ishte fundi i atyre që i bënë padrejtësi vetes së tyre, duke mohuar Zotin e tyre.

[6] Dhe Ne e bëmë Faraonin dhe popullin e tij udhëheqës që çojnë drejt zjarrit, të cilët ndiqen nga njerëzit e mohimit dhe mëkatit. Ndërsa në Ditën e Kiametit nuk do të ndihmohen nga njëri-njetri si në dynja, dhe nuk do të ndihmohen nga askush, por do të marrin dënimin e Allahut. Kjo ishte për shkak të mohimit të tyre, përgënjeshtrimit të të Dërguarit të Zotit të tyre dhe këmbënguljes së tyre në këtë rrugë.

[7] Dhe Ne e ndoqëm Faraonin dhe popullin e tij në këtë botë me poshtërim dhe me zemërim nga ana Jonë ndaj tyre, ndërsa në Ditën e Kiametit ata do të jenë nga ata që veprat e tyre janë të neveritshme dhe do të jenë të larguar prej mëshirës së Allahut.

[8] Ne i dhamë Musait Teuratin, pasi kishim shkatërruar popujt që ishin para tij – si populli i Nuhut, Adit, Themudit, populli i Lutit dhe banorët e Medjenit – në të cilin kishte dritë e udhëzim për bijtë e Izraelit, që me të të shihnin qartë ç’është e dobishme për ta dhe ç’është e dëmshme. Në të kishte edhe mëshirë për ata prej tyre që vepronin sipas tij, në mënyrë që të kujtonin mirësitë e Allahut ndaj tyre, t’a falënderonin për to dhe të mos bëheshin mohues.

-390-

وَمَا كُنتَ بِجَانِبِ ٱلْغَرْبِىِّ إِذْ قَضَيْنَآ إِلَىٰ مُوسَى ٱلْأَمْرَ وَمَا كُنتَ مِنَ ٱلشَّـٰهِدِينَ ٤٤

  1. Ti (o Muhamed) nuk ishe në anën perëndimore (të Turit), kur Ne ia besuam Musait çështjen (e profetësisë), dhe ti nuk ishe prej dëshmitarëve.[1]

وَلَـٰكِنَّآ أَنشَأْنَا قُرُونًۭا فَتَطَاوَلَ عَلَيْهِمُ ٱلْعُمُرُ ۚ وَمَا كُنتَ ثَاوِيًۭا فِىٓ أَهْلِ مَدْيَنَ تَتْلُوا عَلَيْهِمْ ءَايَـٰتِنَا وَلَـٰكِنَّا كُنَّا مُرْسِلِينَ ٤٥

  1. Pastaj, Ne krijuam breza të tërë, mbi të cilët kaloi kohë e gjatë, derisa harruan. Dhe ti (o Muhamed) nuk ishe banues mes popullit të Medjenit, që t’u lexoje atyre ajetet Tona, por Ne ishim ata që dërgonim (të dërguarit).[2]

وَمَا كُنتَ بِجَانِبِ ٱلطُّورِ إِذْ نَادَيْنَا وَلَـٰكِن رَّحْمَةًۭ مِّن رَّبِّكَ لِتُنذِرَ قَوْمًۭا مَّآ أَتَىٰهُم مِّن نَّذِيرٍۢ مِّن قَبْلِكَ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ ٤٦

  1. Dhe ti (o Muhamed) nuk ishe pranë malit Tûr, kur Ne e thirrëm (Musain), por të dërguam si mëshirë nga Zoti yt, që të paralajmërosh një popull, tek i cili nuk kishte ardhur ndonjë paralajmërues para teje, që ata të kujtojnë.[3]

وَلَوْلَآ أَن تُصِيبَهُم مُّصِيبَةٌۢ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيهِمْ فَيَقُولُوا رَبَّنَا لَوْلَآ أَرْسَلْتَ إِلَيْنَا رَسُولًۭا فَنَتَّبِعَ ءَايَـٰتِكَ وَنَكُونَ مِنَ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٤٧

  1. Dhe që, kur t’i godasë ndonjë fatkeqësi për shkak të asaj që duart e tyre kanë bërë, të mos thonë: “Zoti ynë, pse nuk na dërgove një të dërguar, që të ndiqnim shenjat e Tua dhe të ishim prej besimtarëve?”[4]

فَلَمَّا جَآءَهُمُ ٱلْحَقُّ مِنْ عِندِنَا قَالُوا لَوْلَآ أُوتِىَ مِثْلَ مَآ أُوتِىَ مُوسَىٰٓ ۚ أَوَلَمْ يَكْفُرُوا بِمَآ أُوتِىَ مُوسَىٰ مِن قَبْلُ ۖ قَالُوا سِحْرَانِ تَظَـٰهَرَا وَقَالُوٓا إِنَّا بِكُلٍّۢ كَـٰفِرُونَ ٤٨

  1. Por kur atyre u erdhi e Vërteta nga Ne, ata thanë: “Pse nuk iu dha atij (Muhamedit) diçka e ngjashme me atë që iu dha Musait?” Por, a nuk e mohuan ata edhe atë që iu dha Musait më parë? Ata thanë: “Këto (Teurati dhe Kurani) janë dy magji që mbështesin njëra-tjetrën.” Dhe thanë: “Ne i mohojmë që të dy.”[5]

قُلْ فَأْتُوا بِكِتَـٰبٍۢ مِّنْ عِندِ ٱللَّهِ هُوَ أَهْدَىٰ مِنْهُمَآ أَتَّبِعْهُ إِن كُنتُمْ صَـٰدِقِينَ ٤٩

  1. Thuaju (o Muhamed): “Atëherë, sillni një Libër nga Allahu, më udhëzues se këta dy (Kurani dhe Teurati), që unë ta ndjek, nëse flisni të vërtetën.”[6]

فَإِن لَّمْ يَسْتَجِيبُوا لَكَ فَٱعْلَمْ أَنَّمَا يَتَّبِعُونَ أَهْوَآءَهُمْ ۚ وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّنِ ٱتَّبَعَ هَوَىٰهُ بِغَيْرِ هُدًۭى مِّنَ ٱللَّهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٥٠

  1. Nëse nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata thjesht ndjekin dëshirat e veta. E kush është më i humbur se ai që ndjek dëshirën e vet, pa udhëzim nga Allahu? Vërtet, Allahu nuk e udhëzon popullin e padrejtë.[7]

[1] Ti, o Muhamed, nuk ishe pranë malit në anën perëndimore me Musain, kur Ne ia besuam atij urdhrin dhe ndalesat Tona, dhe nuk ishe prej dëshmitarëve të asaj ngjarjeje, që të thuhet se kjo dije të ka ardhur ty prej asaj rruge.

[2] Por Ne krijuam breza të shumtë pas Musait, të cilët qëndruan për një kohë të gjatë, derisa harruan besëlidhjen e Allahut dhe lanë pas dore urdhrat e Tij. Dhe ti, o Muhamed, nuk ishe banues tek populli i Medjenit, që t’u lexoje atyre Librin Tonë e të mësoje ngjarjen e tyre, pastaj të vije t’ia tregoje popullit tënd. Por ky lajm që ti solle për Musain është shpallje nga Allahu dhe dëshmi e qartë për profetësinë dhe dërgimin tënd.

[3] Dhe ti – o Muhamed – nuk ishe pranë malit Tûr, kur Ne e thirrëm Musain, dhe nuk ishe dëshmitar i asaj ngjarjeje që ta mësoje. Por Ne të dërguam ty nga mëshira e Zotit tënd, që të paralajmërosh një popull, tek i cili para teje nuk kishte ardhur asnjë paralajmërues, në mënyrë që ata të kujtojnë të mirën që u solle e ta zbatojnë, dhe të keqen që i ndalove e ta shmangin.

[4] Dhe Ne të dërguam ty, o Muhamed, që kur mbi mohuesit të zbresë dënimi për shkak të mohimit të Zotit të tyre, të mos thonë: “O Zoti ynë, pse nuk na dërgove më parë një të dërguar, që të ndiqnim shenjat e Tua të zbritura në Librin Tënd dhe të ishim prej besimtarëve?”

[5] Kur Muhamedi erdhi tek ky popull si paralajmërues për ta, ata thanë: “Pse nuk iu dha këtij që u dërgua tek ne siç iu dha Musait – mrekulli të dukshme dhe një libër i zbritur i tëri menjëherë?” Thuaj – o i Dërguar –: “A nuk e mohuan hebrenjtë atë që iu dha Musait më parë?” Ata thanë: “Teurati dhe Kurani janë dy magji që mbështesin njëra-tjetrën në magjinë e tyre.” Dhe thanë: “Ne i mohojmë që të dy.”

[6] Thuaj – o Muhamed – mohuesve: “Sillni një Libër nga Allahu, që të jetë më udhëzues e më i drejtë se Teurati dhe Kurani, që unë ta ndjek, nëse flisni të vërtetën.”

[7] Nëse ata nuk të përgjigjen ty, o Muhamed, duke sjellë një Libër (më udhëzues se Teurati dhe Kurani), dhe nuk u mbetet asnjë argument, dije se ata vetëm pasojnë dëshirat e tyre. Dhe nuk ka askush më të humbur se ai që ndjek dëshirën dhe epshin e vet, pa udhëzim nga Allahu. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon drejt së vërtetës popullin e padrejtë, të cilët kundërshtojnë urdhrin e Tij dhe kalojnë kufijtë e Tij.

-391-

۞ وَلَقَدْ وَصَّلْنَا لَهُمُ ٱلْقَوْلَ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ ٥١

  1. Ne ua kemi dërguar atyre Fjalën (Tonë) njëra pas tjetrës, që ata të kujtojnë.[1]

ٱلَّذِينَ ءَاتَيْنَـٰهُمُ ٱلْكِتَـٰبَ مِن قَبْلِهِۦ هُم بِهِۦ يُؤْمِنُونَ ٥٢

  1. Ata, të cilëve Ne u dhamë Librin para tij (Kuranit), ata besojnë në të (Kuran).[2]

وَإِذَا يُتْلَىٰ عَلَيْهِمْ قَالُوٓا ءَامَنَّا بِهِۦٓ إِنَّهُ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّنَآ إِنَّا كُنَّا مِن قَبْلِهِۦ مُسْلِمِينَ ٥٣

  1. Dhe kur ai (Kurani) u lexohet atyre, ata thonë: “Ne besojmë në të. Vërtet, ky është e vërteta nga Zoti ynë. Ne, edhe para tij, kemi qenë muslimanë të nënshtruar (Allahut).”[3]

أُولَـٰٓئِكَ يُؤْتَوْنَ أَجْرَهُم مَّرَّتَيْنِ بِمَا صَبَرُوا وَيَدْرَءُونَ بِٱلْحَسَنَةِ ٱلسَّيِّئَةَ وَمِمَّا رَزَقْنَـٰهُمْ يُنفِقُونَ ٥٤

  1. Të tillët do të shpërblehen dyfish, për shkak të durimit të tyre. Ata e largojnë të keqen me të mirën dhe japin nga ajo me të cilën Ne i kemi furnizuar.[4]

وَإِذَا سَمِعُوا ٱللَّغْوَ أَعْرَضُوا عَنْهُ وَقَالُوا لَنَآ أَعْمَـٰلُنَا وَلَكُمْ أَعْمَـٰلُكُمْ سَلَـٰمٌ عَلَيْكُمْ لَا نَبْتَغِى ٱلْجَـٰهِلِينَ ٥٥

  1. Dhe kur dëgjojnë fjalë të kota, largohen prej saj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, kurse ju veprat tuaja. Paqe mbi ju! Ne nuk e duam shoqërinë e injorantëve.”[5]

إِنَّكَ لَا تَهْدِى مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَـٰكِنَّ ٱللَّهَ يَهْدِى مَن يَشَآءُ ۚ وَهُوَ أَعْلَمُ بِٱلْمُهْتَدِينَ ٥٦

  1. Vërtet, ti (o Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por Allahu udhëzon kë të dojë Ai, dhe Ai e di më mirë se kush janë të udhëzuarit (të denjët për t’u udhëzuar).[6]

وَقَالُوٓا إِن نَّتَّبِعِ ٱلْهُدَىٰ مَعَكَ نُتَخَطَّفْ مِنْ أَرْضِنَآ ۚ أَوَلَمْ نُمَكِّن لَّهُمْ حَرَمًا ءَامِنًا يُجْبَىٰٓ إِلَيْهِ ثَمَرَٰتُ كُلِّ شَىْءٍۢ رِّزْقًا مِّن لَّدُنَّا وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ ٥٧

  1. Ata thonë: “Nëse ndjekim udhëzimin me ty, së shpejti do të rrëmbehemi nga toka jonë.” Po, a nuk u kemi mundësuar Ne atyre të jetojnë në një vend të Shenjtë e të sigurt, ku sillen frytet e të gjitha llojeve, si furnizim nga Ne? Por shumica e tyre nuk e dinë (vlerën e këtyre mirësive).[7]

وَكَمْ أَهْلَكْنَا مِن قَرْيَةٍ بَطِرَتْ مَعِيشَتَهَا ۖ فَتِلْكَ مَسَـٰكِنُهُمْ لَمْ تُسْكَن مِّنۢ بَعْدِهِمْ إِلَّا قَلِيلًا ۖ وَكُنَّا نَحْنُ ٱلْوَٰرِثِينَ ٥٨

  1. Sa shumë qytete kemi shkatërruar, ngaqë i prishi jeta e tyre e rehatshme. Ja banesat e tyre – pas tyre pothuajse nuk banoi askush, vetëm pak. Jemi Ne trashëgimtarët.[8]

وَمَا كَانَ رَبُّكَ مُهْلِكَ ٱلْقُرَىٰ حَتَّىٰ يَبْعَثَ فِىٓ أُمِّهَا رَسُولًا يَتْلُوا عَلَيْهِمْ ءَايَـٰتِنَا ۚ وَمَا كُنَّا مُهْلِكِى ٱلْقُرَىٰٓ إِلَّا وَأَهْلُهَا ظَـٰلِمُونَ ٥٩

  1. Zoti yt nuk do i shkatërronte qytetet, derisa në qytetin kryesor të tij të dërgonte një të Dërguar, që t’u lexonte atyre shpalljet Tona. Dhe Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar qytetet, përveçse kur banorët e tyre vazhdonin të ishin keqbërës.[9]

 


[1] Ne ua kemi dërguar bijve të Izraelit dhe popullit tënd, o Muhamed, Fjalën Tonë (Teuratin dhe Kuranin), në vazhdimësi, njëri pas tjetrit, në mënyrë që ata të kujtojnë dhe të marrin mësim.

[2] Ata, të cilëve Ne u dhamë Librin para Kuranit – pra, hebrenjtë dhe të krishterët që nuk e kanë shtrembëruar fenë – e besojnë Kuranin dhe Muhamedin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

[3] Dhe kur u lexohet ky Kuran atyre që Ne u kishim dhënë Librin më parë, ata thonë: “Ne e besojmë atë dhe veprojmë sipas tij. Vërtet, ai është e vërteta nga Zoti ynë. Ne, edhe para se të zbritej ky, kemi qenë muslimanë, njësues të Allahut.” Sepse feja e Allahut është një, dhe ajo është Islami.

[4] Këta, të cilët u përshkruan më parë, do të marrin shpërblimin e veprave të tyre dyfish: njëherë për besimin e tyre në Librin që iu dha më parë dhe njëherë për besimin e tyre në Kuran – për shkak të durimit të tyre. Nga cilësitë e tyre është se ata e largojnë të keqen me të mirë dhe japin nga ajo me të cilën Ne i kemi furnizuar në rrugë të mirësisë dhe bamirësisë.

[5] Dhe kur këta dëgjojnë fjalë të kota e të pavërteta, nuk i kushtojnë vëmendje, por thonë: “Për ne janë veprat tona dhe ne nuk largohemi prej tyre, e për ju janë veprat tuaja dhe barra e tyre është mbi ju. Ne nuk e humbim kohën duke ju kundërshtuar. Nga ne nuk do të dëgjoni tjetër veçse fjalë të mira. Ne nuk ju flasim sipas injorancës suaj, sepse nuk duam e as nuk pëlqejmë rrugën e injorantëve.” Kjo është prej fjalëve më të mira që thonë thirrësit e sinqertë drejt Allahut.

[6] Vërtet, ti – o i Dërguar – nuk mund t’i japësh udhëzim të plotë atij që ti dëshiron ta udhëzosh, por kjo është në Dorën e Allahut. Ai udhëzon kë të dojë për në besim dhe ia mundëson atij rrugën e drejtë. Dhe Ai di më mirë se kush është i përshtatshëm për udhëzim, prandaj e udhëzon atë.

[7] Idhujtarët e Mekës të thonë ty, o Muhamed: “Nëse e ndjekim të vërtetën që na ke sjellë, e braktisim aleatët dhe idhujt tanë, do të rrëmbehemi nga toka jonë me vrasje, robërim dhe grabitje pasurie.” Po, a nuk i bëmë Ne ata të qëndrueshëm në një vend të sigurt, ku e kemi bërë të ndaluar derdhjen e gjakut, dhe ku u silleshin frytet e çdo gjëje si furnizim prej Nesh? Por shumica e këtyre idhujtarëve nuk e dinë vlerën e këtyre mirësive që kanë mbi vete, që të falënderonin Atë që ua dha dhe t’i binden Atij.

[8] Shumë prej banorëve të fshatrave dhe qyteteve i shkatërruam, kur begatia e jetës dhe luksi i bëri të shpërfillnin besimin në të dërguarit, të ishin mohues të Allahut dhe të padrejtë. Ja, këto janë banesat e tyre – pas tyre nuk u banuan më, përveç pak prej tyre. Jemi Ne trashëgimtarët e tyre: i bëmë të vdesin, pastaj ata do të kthehen tek Ne, e Ne do t’i shpërblejmë sipas veprave të tyre.

[9] Dhe Zoti yt – o Muhamed – nuk ishte që t’i shkatërronte qytetet përreth Mekës në kohën tënde, derisa të dërgonte në vendin e tyre mëmë – që është Meka – një të dërguar që t’u lexonte atyre ajetet Tona. Dhe Ne nuk i shkatërruam qytetet, veçse kur banorët e tyre i bënë padrejtësi vetes së tyre, duke mohuar Allahun dhe duke iu kundërvënë urdhrave të Tij; prandaj ata e merituan ndëshkimin dhe dënimin.

-392-

وَمَآ أُوتِيتُم مِّن شَىْءٍۢ فَمَتَـٰعُ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَزِينَتُهَا ۚ وَمَا عِندَ ٱللَّهِ خَيْرٌ وَأَبْقَىٰٓ ۚ أَفَلَا تَعْقِلُونَ ٦٠

  1. Çfarëdo që ju është dhënë, është vetëm kënaqësi dhe zbukurim i jetës së kësaj bote, por ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe më e qëndrueshme. A nuk mendoni?[1]

أَفَمَن وَعَدْنَـٰهُ وَعْدًا حَسَنًا فَهُوَ لَـٰقِيهِ كَمَن مَّتَّعْنَـٰهُ مَتَـٰعَ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ثُمَّ هُوَ يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ مِنَ ٱلْمُحْضَرِينَ ٦١

  1. A është vallë njësoj ai që Ne i kemi premtuar një premtim të mirë dhe ai do ta arrijë atë, me atë që Ne e kemi kënaqur me begatitë e kësaj bote, pastaj në Ditën e Kiametit do të jetë ndër të sjellurit për llogari?[2]

وَيَوْمَ يُنَادِيهِمْ فَيَقُولُ أَيْنَ شُرَكَآءِىَ ٱلَّذِينَ كُنتُمْ تَزْعُمُونَ ٦٢

  1. Ditën kur Ai do t’i thërrasë ata e do t’u thotë: “Ku janë shokët e Mi, të cilët ju i pretendonit?”[3]

قَالَ ٱلَّذِينَ حَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلْقَوْلُ رَبَّنَا هَـٰٓؤُلَآءِ ٱلَّذِينَ أَغْوَيْنَآ أَغْوَيْنَـٰهُمْ كَمَا غَوَيْنَا ۖ تَبَرَّأْنَآ إِلَيْكَ ۖ مَا كَانُوٓا إِيَّانَا يَعْبُدُونَ ٦٣

  1. Ata, ndaj të cilëve Fjala (dënimi) do të jetë bërë e detyrueshme, do të thonë: “Zoti ynë, këta janë ata që i shmangëm nga rruga e drejtë, siç u shmangëm edhe vetë. Ne distancohemi prej tyre para Teje. Ata nuk na adhuronin ne.”[4]

وَقِيلَ ٱدْعُوا شُرَكَآءَكُمْ فَدَعَوْهُمْ فَلَمْ يَسْتَجِيبُوا لَهُمْ وَرَأَوُا ٱلْعَذَابَ ۚ لَوْ أَنَّهُمْ كَانُوا يَهْتَدُونَ ٦٤

  1. Atyre do t’u thuhet: “Thirrni idhujt tuaj!” Ata do t’i thërrasin, por nuk do t’u përgjigjen, dhe do ta shohin dënimin. Sikur të kishin qenë në udhëzim![5]

وَيَوْمَ يُنَادِيهِمْ فَيَقُولُ مَاذَآ أَجَبْتُمُ ٱلْمُرْسَلِينَ ٦٥

  1. Atë Ditë Ai do t’i thërrasë dhe do t’u thotë: “Çfarë përgjigje ju dhatë të dërguarve?”[6]

فَعَمِيَتۡ عَلَيۡهِمُ ٱلۡأَنۢبَآءُ يَوۡمَئِذٖ فَهُمۡ لَا يَتَسَآءَلُونَ ٦٦

  1. Atë ditë, lajmet do t’u humbin, dhe ata nuk do të mund të pyesin njëri-tjetrin.[7]

فَأَمَّا مَن تَابَ وَءَامَنَ وَعَمِلَ صَٰلِحٗا فَعَسَىٰٓ أَن يَكُونَ مِنَ ٱلۡمُفۡلِحِينَ ٦٧

  1. Sa për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, shpresohet të jetë prej të shpëtuarve.[8]

وَرَبُّكَ يَخۡلُقُ مَا يَشَآءُ وَيَخۡتَارُۗ مَا كَانَ لَهُمُ ٱلۡخِيَرَةُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ وَتَعَٰلَىٰ عَمَّا يُشۡرِكُونَ ٦٨

  1. Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh; ata nuk kanë ndonjë të drejtë zgjedhjeje. I Lartësuar është Allahu dhe i Pastër nga ato që i shoqërojnë Atij.[9]

وَرَبُّكَ يَعۡلَمُ مَا تُكِنُّ صُدُورُهُمۡ وَمَا يُعۡلِنُونَ ٦٩

  1. Zoti yt di atë që fshehin zemrat e tyre dhe atë që shpallin hapur.[10]

وَهُوَ ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۖ لَهُ ٱلۡحَمۡدُ فِي ٱلۡأُولَىٰ وَٱلۡأٓخِرَةِۖ وَلَهُ ٱلۡحُكۡمُ وَإِلَيۡهِ تُرۡجَعُونَ ٧٠

  1. Ai është Allahu, nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atij i takon lavdërimi në këtë botë dhe në tjetrën, Atij i takon gjykimi, dhe tek Ai do të ktheheni.[11]

[1] Dhe çfarëdo që ju është dhënë – o njerëz – nga pasuritë dhe fëmijët, nuk është veçse një kënaqësi e përkohshme për t’u gëzuar në këtë jetë të kësaj bote dhe stoli për t’u zbukuruar. Ndërsa ajo që është tek Allahu për ata që i binden Atij dhe e marrin për Mbrojtës, është më e mirë dhe më e qëndrueshme, sepse është e përjetshme dhe nuk shteron kurrë. A nuk keni mendje – o popull – që të mendoni me të, e të dalloni të mirën nga e keqja?

[2] A është vallë ai, të cilit Ne i kemi premtuar – prej robërve Tanë – Xhenetin si shpërblim për bindjen ndaj Nesh, dhe që me siguri do ta takojë atë premtim e do të arrijë atje, i njëjtë me atë që Ne e kemi kënaqur vetëm me kënaqësitë e jetës së kësaj bote, i cili u kënaq me to dhe i parapëlqeu kënaqësitë e çastit ndaj atyre të përjetshmeve, e pastaj në Ditën e Kiametit do të jetë nga ata që sillen të pranishëm për llogari e dënim? Nuk janë të barabartë këto dy grupe. Prandaj i mençuri le të zgjedhë për veten atë që është më me vlerë – bindjen ndaj Allahut dhe kërkimin e kënaqësisë së Tij.

[3] Dhe Ditën kur Allahu i Madhëruar do t’i thërrasë ata që i shoqëruan Atij aleatët dhe idhujt në këtë botë, do t’u thotë: “Ku janë ortakët e Mi, që ju pretendonit se ishin shokë për Mua?”

[4] Ata mbi të cilët është bërë i detyrueshëm dënimi – që janë udhëheqësit e mosbesimit – do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata që i çuam në humbje, i çuam në humbje ashtu siç u humbëm vetë. Ne distancohemi para Teje nga miqësia dhe ndihma për ta. Ata nuk na adhuronin ne, por në të vërtetë adhuronin djajtë.”

[5] Dhe idhujtarëve, Ditën e Kiametit, do t’u thuhet: “Thërrisni ortakët tuaj, të cilët i adhuronit në vend të Allahut.” Atëherë ata do t’i thërrasin, por ata nuk do t’u përgjigjen. Dhe ata do ta shohin dënimin me sytë e tyre. Sikur të kishin qenë të udhëzuar në këtë botë në të vërtetën, nuk do të ishin ndëshkuar.

[6] Ditën kur Allahu do t’i thërrasë këta idhujtarë, do t’u thotë: “Si ju përgjigjët të dërguarve, në atë me të cilin Ne i dërguam tek ju?”

[7] Atëherë atyre do t’u humbasin argumentet, dhe nuk do të dinë çfarë të thonë si mbrojtje. Dhe ata nuk do të mund të pyesin njëri-tjetrin për ndonjë justifikim të vlefshëm, sepse nuk do të kenë asgjë që t’u vlejë.

[8] Sa për atë që pendohet prej idhujtarëve, ia kushton adhurimin vetëm Allahut dhe vepron sipas asaj që e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ai do të jetë prej të shpëtuarve dhe fitimtarëve në të dy botët.

[9] Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh për miqësinë dhe afërsinë e Tij kë të dojë prej krijesave të Tij. As idhujtarët dhe askush nuk ka pjesë në çështjen e vendimit dhe zgjedhjes; ajo i takon vetëm Allahut të Vetëm. I Lartësuar dhe i pastër është Ai nga shoqërimi që ata i bëjnë.

[10] Zoti yt e di atë që fshehin gjokset e krijesave të Tij dhe atë që ata e shfaqin hapur.

[11] Ai është Allahu. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij. Atij i takon lavdia e bukur dhe falënderimi në këtë botë dhe në botën tjetër. Atij i përket gjykimi mes krijesave të Tij, dhe tek Ai do të ktheheni pas vdekjes suaj për llogari dhe shpërblim.

-393-

قُلۡ أَرَءَيۡتُمۡ إِن جَعَلَ ٱللَّهُ عَلَيۡكُمُ ٱلَّيۡلَ سَرۡمَدًا إِلَىٰ يَوۡمِ ٱلۡقِيَٰمَةِ مَنۡ إِلَٰهٌ غَيۡرُ ٱللَّهِ يَأۡتِيكُم بِضِيَآءٍۚ أَفَلَا تَسۡمَعُونَ ٧١

  1. Thuaj: “Më tregoni, nëse Allahu do ta bënte natën të pandërprerë mbi ju deri në Ditën e Kiametit, cili zot tjetër përveç Allahut do t’ju sillte dritë? A nuk dëgjoni vallë?”[1]

قُلۡ أَرَءَيۡتُمۡ إِن جَعَلَ ٱللَّهُ عَلَيۡكُمُ ٱلنَّهَارَ سَرۡمَدًا إِلَىٰ يَوۡمِ ٱلۡقِيَٰمَةِ مَنۡ إِلَٰهٌ غَيۡرُ ٱللَّهِ يَأۡتِيكُم بِلَيۡلٖ تَسۡكُنُونَ فِيهِۚ أَفَلَا تُبۡصِرُونَ ٧٢

  1. Thuaj: “Më tregoni, nëse Allahu do ta bënte ditën të pandërprerë mbi ju deri në Ditën e Kiametit, cili zot tjetër përveç Allahut do t’ju sillte natë, në të cilën të pushonit e të qetësoheshit? A nuk shihni vallë?”[2]

وَمِن رَّحۡمَتِهِۦ جَعَلَ لَكُمُ ٱلَّيۡلَ وَٱلنَّهَارَ لِتَسۡكُنُواْ فِيهِ وَلِتَبۡتَغُواْ مِن فَضۡلِهِۦ وَلَعَلَّكُمۡ تَشۡكُرُونَ ٧٣

  1. Nga mëshira e Tij, Ai bëri për ju natën dhe ditën, që të pushoni në të (natën) dhe të kërkoni nga mirësia e Tij (ditën), në mënyrë që të jeni mirënjohës.[3]

وَيَوۡمَ يُنَادِيهِمۡ فَيَقُولُ أَيۡنَ شُرَكَآءِيَ ٱلَّذِينَ كُنتُمۡ تَزۡعُمُونَ ٧٤

  1. Atë Ditë Ai do t’i thërrasë ata, e do t’u thotë: “Ku janë ortakët e Mi, të cilët ju i pretendonit?”[4]

 وَنَزَعۡنَا مِن كُلِّ أُمَّةٖ شَهِيدٗا فَقُلۡنَا هَاتُواْ بُرۡهَٰنَكُمۡ فَعَلِمُوٓاْ أَنَّ ٱلۡحَقَّ لِلَّهِ وَضَلَّ عَنۡهُم مَّا كَانُواْ يَفۡتَرُونَ ٧٥

  1. Dhe Ne do të nxjerrim nga çdo popull një dëshmitar, e do të themi: “Sillni argumentin tuaj.” Atëherë ata do ta kuptojnë se e vërteta i përket vetëm Allahut, dhe do t’u humbasë çdo gjë ata që trillonin.[5]

۞ إِنَّ قَٰرُونَ كَانَ مِن قَوۡمِ مُوسَىٰ فَبَغَىٰ عَلَيۡهِمۡۖ وَءَاتَيۡنَٰهُ مِنَ ٱلۡكُنُوزِ مَآ إِنَّ مَفَاتِحَهُۥ لَتَنُوٓأُ بِٱلۡعُصۡبَةِ أُوْلِي ٱلۡقُوَّةِ إِذۡ قَالَ لَهُۥ قَوۡمُهُۥ لَا تَفۡرَحۡۖ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُحِبُّ ٱلۡفَرِحِينَ ﴿٧٦﴾

  1. Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait, por ai u tregua mendjemadh dhe i padrejtë ndaj tyre. Ne i dhamë atij thesare aq të shumta, sa që vetëm çelësat e tyre do ta rëndonin një grup njerëzish të fortë. Kur populli i tij i tha: “Mos u gëzo me mendjemadhësi (për këtë pasuri), sepse Allahu nuk i do ata që gëzohen me tepri (pa falënderim e pa të drejtë).”[6]

وَٱبۡتَغِ فِيمَآ ءَاتَىٰكَ ٱللَّهُ ٱلدَّارَ ٱلۡأٓخِرَةَۖ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ ٱلدُّنۡيَاۖ وَأَحۡسِن كَمَآ أَحۡسَنَ ٱللَّهُ إِلَيۡكَۖ وَلَا تَبۡغِ ٱلۡفَسَادَ فِي ٱلۡأَرۡضِۖ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُحِبُّ ٱلۡمُفۡسِدِينَ ٧٧

  1. Me atë që Allahu të ka dhënë (pasurinë) përpiqu të fitosh botën tjetër, por mos harro edhe pjesën tënde nga kjo botë. Bëj mirë, ashtu siç Allahu të ka bërë mirë ty, dhe mos bëj prishje në tokë, sepse Allahu nuk i do prishësit.[7]

 


[1] Thuaj idhujtarëve – o i Dërguar –: “Më tregoni, o njerëz, nëse Allahu do ta bënte natën të pandërprerë për ju deri në Ditën e Kiametit, cili zot tjetër përveç Allahut do t’ju sillte dritë, që të mund të ndriçoheshit me të? A nuk dëgjoni me dëgjim të kuptimit dhe pranimit?”

[2] Thuaju atyre: “Më tregoni, nëse Allahu do ta bënte ditën të pandërprerë për ju deri në Ditën e Kiametit, cili zot tjetër përveç Allahut do t’ju sillte natën, në të cilën të pushoni dhe të qetësoheni? A nuk shihni me sytë tuaj ndryshimin e natës dhe të ditës?”

[3] Dhe nga mëshira e Tij ndaj jush – o njerëz – është se Allahu krijoi për ju natën dhe ditën, duke i bërë të ndryshëm nga njëri-tjetri: natën e bëri errësirë që të pushoni e të çlodhen trupat tuaj, ndërsa ditën e bëri të ndritshme që të kërkoni në të mjetet e jetesës suaj dhe që ta falënderoni Atë për mirësinë që ju ka dhënë me këtë.

[4] Ditën kur Allahu do t’i thërrasë këta idhujtarë, do t’u thotë atyre: “Ku janë ortakët e Mi, që ju pretendonit në dynja se ishin shokë për Mua?”

[5] Atëherë do të nxjerrim nga çdo popull mohues një dëshmitar – që ishte profeti i tyre – i cili do të dëshmojë për atë që ndodhi në dynja nga shirku i tyre dhe përgënjeshtrimi i të dërguarve të tyre. Atëherë Ne u thamë atyre popujve që përgënjeshtruan të dërguarit dhe atë që ata sollën prej Allahut: “Sillni argumentin tuaj për atë që i bëtë shok Allahut.” Atëherë ata e kuptuan se argumenti i prerë ishte vetëm i Allahut kundër tyre dhe se e vërteta i përket vetëm Allahut. Dhe u zhduk nga ata ajo që trilluan kundër Zotit të tyre, e nuk u bë e dobishme për ta, por përkundrazi u solli dëm dhe i futi në zjarrin e Xhehenemit.

[6] Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait – paqja qoftë mbi të – por ai e tejkaloi kufirin me mendjemadhësinë dhe arrogancën e tij ndaj tyre. Ne i dhamë Karunit nga thesaret e pasurisë aq shumë, sa që çelësat e tyre do t’u rëndonin një grupi të madh burrash të fuqishëm. Atëherë populli i tij i tha: “Mos u mburr dhe mos u trego mendjemadh për pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që gëzohen me tepri dhe nuk e falënderojnë Atë për atë që u ka dhënë.”

[7] Me atë pasuri që Allahu të ka dhënë kërko shpërblimin e botës tjetër, duke e përdorur atë në bindje ndaj Allahut gjatë kësaj bote, dhe mos e lër pjesën tënde nga kjo jetë – pra, gëzoju asaj me të lejuarën, pa tepruar. Bëj mirë ndaj njerëzve me lëmoshë dhe bamirësi, ashtu siç Allahu ka bërë mirë ndaj teje duke të dhënë këtë pasuri të madhe. Dhe mos kërko atë që Allahu ta ka ndaluar, si padrejtësia e shtypja ndaj popullit tënd. Vërtet, Allahu nuk i do prishësit.

-394-

قَالَ إِنَّمَآ أُوتِيتُهُۥ عَلَىٰ عِلۡمٍ عِندِيٓۚ أَوَلَمۡ يَعۡلَمۡ أَنَّ ٱللَّهَ قَدۡ أَهۡلَكَ مِن قَبۡلِهِۦ مِنَ ٱلۡقُرُونِ مَنۡ هُوَ أَشَدُّ مِنۡهُ قُوَّةٗ وَأَكۡثَرُ جَمۡعٗاۚ وَلَا يُسۡـَٔلُ عَن ذُنُوبِهِمُ ٱلۡمُجۡرِمُونَ ٧٨

  1. Ai (Karuni) tha: “Mua kjo pasuri më është dhënë vetëm falë dijes që kam.” Po, a nuk e dinte ai se Allahu ka shkatërruar para tij shumë breza, që ishin më të fuqishëm se ai dhe kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por kriminelët nuk do të pyeten për mëkatet e tyre (sepse janë të qarta).[1]

فَخَرَجَ عَلَىٰ قَوۡمِهِۦ فِي زِينَتِهِۦۖ قَالَ ٱلَّذِينَ يُرِيدُونَ ٱلۡحَيَوٰةَ ٱلدُّنۡيَا يَٰلَيۡتَ لَنَا مِثۡلَ مَآ أُوتِيَ قَٰرُونُ إِنَّهُۥ لَذُو حَظٍّ عَظِيمٖ ٧٩

  1. Pastaj ai (Karuni) doli para popullit të tij me gjithë shkëlqimin e tij. Ata që dëshironin jetën e kësaj bote thanë: “Ah, sikur të kishim edhe ne atë që i është dhënë Karunit! Ai është vërtet me fat të madh.”[2]

وَقَالَ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡعِلۡمَ وَيۡلَكُمۡ ثَوَابُ ٱللَّهِ خَيۡرٞ لِّمَنۡ ءَامَنَ وَعَمِلَ صَٰلِحٗاۚ وَلَا يُلَقَّىٰهَآ إِلَّا ٱلصَّٰبِرُونَ ٨٠

  1. Kurse ata që u ishte dhënë dituri thanë: “Mjerë ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Por këtë nuk e arrin kush, përveç atyre që durojnë.”[3]

فَخَسَفۡنَا بِهِۦ وَبِدَارِهِ ٱلۡأَرۡضَ فَمَا كَانَ لَهُۥ مِن فِئَةٖ يَنصُرُونَهُۥ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَمَا كَانَ مِنَ ٱلۡمُنتَصِرِينَ ٨١

  1. Atëherë, Ne e fundosëm atë (Karunin) bashkë me shtëpinë e tij në tokë. Ai nuk pati ndonjë grup që ta ndihmonte kundër Allahut, dhe as nuk mund të ndihmonte vetveten.[4]

وَأَصۡبَحَ ٱلَّذِينَ تَمَنَّوۡاْ مَكَانَهُۥ بِٱلۡأَمۡسِ يَقُولُونَ وَيۡكَأَنَّ ٱللَّهَ يَبۡسُطُ ٱلرِّزۡقَ لِمَن يَشَآءُ مِنۡ عِبَادِهِۦ وَيَقۡدِرُۖ لَوۡلَآ أَن مَّنَّ ٱللَّهُ عَلَيۡنَا لَخَسَفَ بِنَاۖ وَيۡكَأَنَّهُۥ لَا يُفۡلِحُ ٱلۡكَٰفِرُونَ ٨٢

  1. Ata që dje kishin dëshiruar të ishin në vendin e tij, filluan të thonë: “Ah, me të vërtetë Allahu ia jep furnizimin kujt do nga robërit e Tij dhe ia ngushton atij që do. Sikur të mos kishte qenë Allahu që të na e kishte dhënë mirësinë e Tij, do të na kishte fundosur edhe ne. Ah, vërtet që mohuesit nuk shpëtojnë kurrë!”[5]

تِلۡكَ ٱلدَّارُ ٱلۡأٓخِرَةُ نَجۡعَلُهَا لِلَّذِينَ لَا يُرِيدُونَ عُلُوّٗا فِي ٱلۡأَرۡضِ وَلَا فَسَادٗاۚ وَٱلۡعَٰقِبَةُ لِلۡمُتَّقِينَ ٨٣

  1. Atë shtëpi të botës tjetër, Ne ia japim vetëm atyre që nuk duan të lartësohen padrejtësisht në Tokë dhe as të përhapin prishje në të. Përfundimi i mirë është për ata që kanë frikë (Allahun).[6]

مَن جَآءَ بِٱلۡحَسَنَةِ فَلَهُۥ خَيۡرٞ مِّنۡهَاۖ وَمَن جَآءَ بِٱلسَّيِّئَةِ فَلَا يُجۡزَى ٱلَّذِينَ عَمِلُواْ ٱلسَّيِّـَٔاتِ إِلَّا مَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ ٨٤

  1. Kushdo që vjen me një të mirë (Ditën e Gjykimit), do të ketë më të mirë se ajo. Dhe kushdo që vjen me një të keqe, ata që kanë bërë të këqija do të shpërblehen vetëm me atë që kanë vepruar.[7]

[1] Karuni u tha popullit të tij, të cilët e këshilluan: “Këto thesare m’u dhanë vetëm për shkak të dijes dhe aftësisë që kam unë.” Po, a nuk e dinte Karuni se Allahu kishte shkatërruar para tij popuj që ishin më të fuqishëm se ai dhe që kishin grumbulluar edhe më shumë pasuri? Dhe kriminelët nuk kanë nevojë të pyeten për mëkatet e tyre, sepse Allahu i di ato plotësisht; ata vetëm do të pyeten me pyetje përgënjeshtruese dhe qortuese, e pastaj Allahu do t’i ndëshkojë për atë që di nga veprat e tyre.

[2] Një ditë, Karuni doli para popullit të tij me stolitë dhe madhështinë e tij, duke dashur të tregonte madhërinë dhe shumësinë e pasurisë së tij. Kur e panë ata që dëshironin zbukurimet e jetës së kësaj bote, thanë: “Ah, sikur të kishim edhe ne siç iu dha Karunit nga pasuria, stolitë dhe pozita! Vërtet, Karuni ka një pjesë të madhe nga kjo botë.”

[3] Kurse ata që u ishte dhënë dituri mbi Allahun, mbi ligjin e Tij dhe që e njihnin realitetin e çështjeve, u thanë atyre që thanë: “Ah, sikur të kishim siç iu dha Karunit”: “Mjerë për ju! Kini frikë Allahun dhe bindjuni Atij. Shpërblimi i Allahut, për atë që beson në Të dhe në të dërguarit e Tij, dhe vepron vepra të mira, është shumë më i mirë se ajo që iu dha Karunit. Por këtë këshillë nuk e pranon, nuk e përfiton dhe nuk vepron sipas saj, veçse ai që lufton me vetveten dhe duron në bindjen ndaj Zotit të tij dhe largohet nga mëkatet.”

[4] Atëherë Ne e fundosëm Karunin me shtëpinë e tij në tokë. Ai nuk pati asnjë ushtri apo mik që ta ndihmonte kundër Allahut, dhe nuk kishte asnjë mundësi të shpëtonte vetveten nga dënimi i Tij, kur Allahu e goditi me ndëshkimin e Tij.

[5] Ata që dje dëshironin të ishin në vendin e Karunit, filluan të thonë me dhimbje, me mësim dhe me frikë se mos i zinte edhe ata dënimi: “Vërtet, Allahu ia zgjeron furnizimin atij që do prej robërve të Tij dhe ia ngushton atij që do. Sikur Allahu të mos na kishte dhënë mirësinë e Tij e të mos na kishte falur, do të na kishte fundosur edhe ne ashtu si Karunin. A nuk e dini se mohuesit kurrë nuk shpëtojnë – as në këtë botë, as në botën tjetër?”

[6] Ajo banesë e botës tjetër – pra, begatia dhe lumturia e saj – u jepet atyre që nuk kërkojnë madhështi të rreme mbi Tokë dhe nuk përhapin prishje në të. Dhe përfundimi i lavdishëm – që është Xheneti – është për ata që kanë frikë nga dënimi i Allahut, i binden Atij me vepra të mira dhe largohen nga të ndaluarat.

[7] Kush vjen në Ditën e Kiametit me njësim të pastër për Allahun dhe me vepra të mira sipas asaj që ka ligjësuar Allahu, do të ketë një shpërblim të madh më të mirë se çdo gjë tjetër – dhe ai është Xheneti me begati të përjetshme. Ndërsa kush vjen me vepra të këqija, ata që i kanë bërë ato nuk do të shpërblehen ndryshe, veçse sipas asaj që kanë vepruar.

-395-

إِنَّ ٱلَّذِي فَرَضَ عَلَيۡكَ ٱلۡقُرۡءَانَ لَرَآدُّكَ إِلَىٰ مَعَادٖۚ قُل رَّبِّيٓ أَعۡلَمُ مَن جَآءَ بِٱلۡهُدَىٰ وَمَنۡ هُوَ فِي ضَلَٰلٖ مُّبِينٖ ٨٥

  1. Vërtet, Ai që ta bëri të detyrueshëm ty (o Muhamed) shpalljen e Kuranit, me siguri do të të kthejë tek vendi i kthimit (Meka). Thuaj: “Zoti im e di më së miri se kush ka ardhur me udhëzimin dhe kush është në humbje të qartë.”[1]

وَمَا كُنتَ تَرۡجُوٓاْ أَن يُلۡقَىٰٓ إِلَيۡكَ ٱلۡكِتَٰبُ إِلَّا رَحۡمَةٗ مِّن رَّبِّكَۖ فَلَا تَكُونَنَّ ظَهِيرٗا لِّلۡكَٰفِرِينَ ٨٦

  1. Ti (o Muhamed) nuk shpresoje që të të shpallej ty Libri, por kjo ishte vetëm mëshirë nga Zoti yt. Prandaj mos u bë ndihmës për mohuesit![2]

وَلَا يَصُدُّنَّكَ عَنۡ ءَايَٰتِ ٱللَّهِ بَعۡدَ إِذۡ أُنزِلَتۡ إِلَيۡكَۖ وَٱدۡعُ إِلَىٰ رَبِّكَۖ وَلَا تَكُونَنَّ مِنَ ٱلۡمُشۡرِكِينَ ٨٧

  1. Dhe mos lejo që ata të të pengojnë nga shpalljet e Allahut, pasi ato të janë shpallur ty. Thirr për tek Zoti yt, dhe mos u bë prej idhujtarëve![3]

وَلَا تَدۡعُ مَعَ ٱللَّهِ إِلَٰهًا ءَاخَرَۘ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۚ كُلُّ شَيۡءٍ هَالِكٌ إِلَّا وَجۡهَهُۥۚ لَهُ ٱلۡحُكۡمُ وَإِلَيۡهِ تُرۡجَعُونَ ٨٨

  1. Dhe mos adhuro bashkë me Allahun ndonjë të adhuruar tjetër! Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Çdo gjë do të zhduket, përveç Fytyrës së Tij. Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë.[4]

[1] Vërtet, Ai që ta zbriti ty – o Muhamed – Kuranin dhe të bëri detyrë ta përcjellësh dhe të mbahesh pas tij, do të të kthejë në vendin prej nga dole, që është Meka. Thuaj – o i Dërguar – këtyre idhujtarëve: “Zoti im e di më mirë se kush ka ardhur me udhëzim dhe kush është në një humbje të qartë nga e vërteta.”

[2] Ti – o Muhamed – nuk e prisje (as nuk shpresoje) që të zbriste Kurani mbi ty, por Allahu, i Lartësuar dhe i Madhëruar, të mëshiroi dhe ta zbriti. Prandaj falëndero Allahun për mirësitë e Tij dhe kurrsesi mos u bëj ndihmës për idhujtarët dhe të humburit.

[3] Dhe kurrsesi mos të largojnë këta idhujtarë nga përcjellja e ajeteve dhe argumenteve të Zotit tënd, pasi Ai t’i ka zbritur ty. Përço mesazhin e Zotit tënd dhe mos u bë kurrë prej idhujtarëve në asgjë, dhe mos i ndihmo ata në asgjë.

[4] Dhe mos adhuro me Allahun asgjë tjetër, sepse nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut. Çdo gjë do të shkatërrohet e do të zhduket, përveç Fytyrës së Tij. Atij i përket gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni pas vdekjes suaj për llogari dhe shpërblim.

– Në këtë ajet, është pohuar cilësia e Fytyrës për Allahun e Madhëruar, ashtu si i takon përsosmërisë dhe madhështisë së Tij, pa asnjë krahasim dhe pa të meta.

-396-