SURJA “ESH SHUARA” – POETËT
(Surja Nr. 26, Mekase, 227 ajete)
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- Tā Sīn Mīm.[1]
- Këto janë ajetet e Librit të qartë.[2]
- Ndoshta do që të shkatërrosh veten (o Muhamed) pse ata nuk po bëhen besimtarë.[3]
- Nëse do të dëshironim, Ne do t’u zbrisnim atyre një shenjë nga qielli, e qafët e tyre do të mbeteshin të përulur para saj.[4]
- Sa herë që atyre u vjen ndonjë përkujtim i ri nga i Gjithëmëshirshmi, ata menjëherë i kthejnë shpinën.[5]
- Ata e përgënjeshtruan atë (Kuranin), por shumë shpejt do t’u vijnë lajmet e asaj për të cilën talleshin.[6]
- A nuk shohin ata në tokë, sa shumë çifte bimësh fisnike kemi bërë të mbijnë në të?[7]
- Në këtë ka me të vërtetë një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[8]
- Dhe Zoti yt është me të vërtetë i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[9]
- Dhe kur Zoti yt i thirri Musait: “Shko te populli i padrejtë;[10]
- Te populli i Faraonit. A nuk kanë frikë ata (nga dënimi Zotit)?”[11]
- Ai (Musai) tha: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më përgënjeshtrojnë;[12]
- Dhe më shtrëngohet kraharori dhe nuk më rrjedh fjala, prandaj dërgoje edhe Harunin (me mua).[13]
- Përveç kësaj, ata kanë kundër meje një krim, e frikësohem se do të më vrasin.”[14]
- Ai (Allahu) tha: “Jo, kurrsesi! Shkoni të dy me provat Tona; Ne do të jemi me ju, do të dëgjojmë.[15]
- Shkoni te Faraoni e thuajini: Ne jemi të Dërguarit e Zotit të botëve;[16]
- Që të të themi: “Lëri bijtë e Izraelit të vijnë me ne!”[17]
- (Faraoni) tha: “A nuk të kemi rritur tek ne si fëmijë, dhe a nuk ke kaluar tek ne shumë vite të jetës sate?![18]
- Pastaj bëre atë vepër që bëre, duke qenë mosmirënjohës.”[19]
[1] Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El Bekare.
[2] Këto janë ajetet e Kuranit që shpjegon çdo gjë dhe që ndan mes udhëzimit dhe humbjes, dhe ky Kuran ka zbritur nga Allahu dhe nuk është vepër e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), por është shpallje nga Allahu tek ai.
[3] Ndoshta ti – o i dërguar – nga dëshira e madhe për udhëzimin e tyre, je gati të shkatërrosh veten, sepse ata nuk të besuan dhe nuk vepruan sipas udhëzimit tënd; pra mos e bëj këtë.
[4] Nëse do të dëshironim, do t’u zbrisnim përgënjeshtruesve nga populli yt, o Muhamed, një mrekulli frikësuese prej qiellit, e cila do t’i detyronte ata të besonin, e qafat e tyre do të bëheshin të përulura e të nënshtruara. Por Ne nuk e deshëm këtë, sepse besimi që ka vlerë është ai në të fshehtën (të padukshmen), i bërë me zgjedhje të lirë.
[5] Dhe nuk u vjen këtyre idhujtarëve përgënjeshtrues ndonjë këshillë (përkujtim) nga i Gjithëmëshirshmi, e shpallur rishtazi – njëra pas tjetrës – që t’u urdhërojë dhe t’u ndalojë, e t’u kujtojë fenë e vërtetë, veçse ata i kthejnë shpinën dhe nuk e pranojnë, e nuk mendojnë rreth saj.
[6] Idhujtarët e mohuesit e përgënjeshtruan Kuranin dhe talleshin me të, por shumë shpejt do t’u vijë lajmi i asaj që talleshin e përqeshnin, dhe dënimi do t’i godasë si shpërblim për kryeneçësinë e tyre ndaj Zotit të tyre.
[7] A e përgënjeshtruan ata (të vërtetën) dhe nuk shikuan tokën, në të cilën Ne bëmë të mbijnë çdo lloj bime të bukur dhe të dobishme, të cilën nuk ka fuqi ta bëjë të mbijë askush tjetër përveç Zotit të botëve?
[8] Vërtet, në nxjerrjen e bimës nga toka ka një shenjë të qartë për përsosmërinë e fuqisë së Allahut, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë dhe nuk do të besojnë.
[9] Dhe me të vërtetë Zoti yt, o Muhamed, është i Plotfuqishmi mbi çdo krijesë (asgjë nuk mund t’a pengonte nga dënimi i mohuesve), Mëshirëploti, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë.
[10] Dhe kujto, o i dërguar, kur Zoti yt i thirri Musait: Shko te populli zullumqar;
[11] Te populli i Faraonit, dhe thuaju atyre: “A nuk i frikësoheni dënimit të Allahut të Madhëruar, e ta lini atë në të cilën gjendeni prej mosbesimit dhe humbjes?”
[12] Musai tha: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më përgënjeshtrojnë në mesazhin tim;
[13] Dhe gjoksi im ngushtohet dhe mbushet me pikëllim për shkak të mohimit të tyre, ndërsa gjuha ime nuk lëshohet lehtë në thirrje, prandaj dërgoje Xhibrilin me shpallje te vëllai im, Haruni, që të më ndihmojë dhe të jetë i dërguar bashkë me mua.
[14] Dhe unë kam mbi vete një faj për vrasjen e një njeriu prej tyre, që ishte një kopt, prandaj kam frikë se do të më vrasin për këtë.”
[15] Allahu i tha Musait: Kurrsesi, nuk do të të vrasin, dhe kërkesën tënde për (ndihmën e) Harunit e kam pranuar. Shkoni pra të dy me mrekullitë që tregojnë vërtetësinë tuaj; Ne jemi me ju me dijen, mbrojtjen dhe ndihmën Tonë, duke dëgjuar çdo gjë që do të thoni ju dhe që do të përgjigjen ata, dhe çdo gjë tjetër.
[16] Shkoni te Faraoni dhe thuajini atij: Ne jemi të dërguar te ti dhe te populli yt nga Zoti i botëve;
[17] Që të të themi: «T’i lirosh dhe t’i lejosh bijtë e Izraelit të vijnë me ne!»
[18] Faraoni i tha Musait, duke ia kujtuar me mendjemadhësi të mirat: «A nuk të kemi rritur në shtëpinë tonë kur ishe i vogël, dhe kalove vite nga jeta jote nën kujdesin tonë?!;
[19] Pastaj bëre një faj duke vrarë një burrë nga populli im, kur e godite e e shtyve, duke qenë mosmirënjohës ndaj meje dhe prej atyre që mohojnë zotërimin tim.”
-367-
- (Musai) tha: “E bëra atë (veprën) atëherë, kur isha nga të paditurit (dhe pa qëllim).[1]
- Prandaj u largova nga ju kur ju frikësohesha, pastaj Zoti im më dha urtësi dhe më bëri prej të dërguarve.[2]
- Dhe a është kjo një mirësi që ti ma përmend mua, që ti i ke skllavëruar bijtë e Izraelit?”[3]
- (Faraoni) tha: “E çfarë është Zoti i botëve?”[4]
- (Musai) tha: “Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i çfarë është ndërmjet tyre, nëse jeni të bindur.”[5]
- Ai (Faraoni) u tha atyre që ishin përreth: “A nuk po dëgjoni (çfarë thotë)?”[6]
- (Musai) tha: “Ai është Zoti juaj dhe Zoti i etërve tuaj të mëparshëm.”[7]
- (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari juaj, që ju është dërguar, është i çmendur!”[8]
- (Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i çfarë është ndërmjet tyre, nëse përdorni mendjen.”[9]
- (Faraoni) tha: “Nëse merr ndonjë zot tjetër përveç meje, do të të bëj nga të burgosurit.”[10]
- (Musai) tha: “Edhe sikur të të sjell dëshmi të qartë?”[11]
- (Faraoni) tha: “Sillma, nëse je prej atyre që thonë të vërtetën.”[12]
- Atëherë ai (Musai) hodhi shkopin e vet dhe ai menjëherë u bë një gjarpër i vërtetë.[13]
- Pastaj nxori dorën e vet, dhe ja, ajo u bë e bardhë për shikuesit.[14]
- (Faraoni) i tha parisë së tij, që e kishte përreth: “Ky qenka magjistar vërtet i ditur![15]
- Ai dëshiron t’ju nxjerrë juve nga toka juaj me magjinë e tij, kështu që çfarë më propozoni?”[16]
- Ata thanë: “Lëre atë dhe vëllain e tij për pak kohë, dhe dërgo mbledhës nëpër qytete,[17]
- që të të sjellin çdo magjistar të aftë.”[18]
- Dhe magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar.[19]
- Dhe njerëzve u thuhej: “A jeni duke u mbledhur (për të parë)?[20]
[1] Musai iu përgjigj Faraonit: «E bëra atë që the, para se Allahu të më shpallte dhe të më dërgonte si të dërguar.
[2] Prandaj dola prej jush, duke ikur në “Medjen”, nga frika se mos më vrisnit për atë që e bëra pa qëllim. Pastaj Zoti im, nga mirësia e Tij, më dha profecinë dhe diturinë, dhe më bëri prej të dërguarve.
[3] Sa për atë rritje në shtëpinë tënde që ti e llogarit si një mirësi ndaj meje – a nuk i bëre bijtë e Izraelit skllevër, duke therur djemtë e tyre dhe duke lënë gjallë gratë e tyre?»
[4] Faraoni tha: “E ç’është Zoti i botëve, për të cilin ti pretendon se je i dërguari i Tij?”
[5] Musai tha: “Është Sunduesi dhe Rregulluesi i qiejve dhe i Tokës dhe i asaj që është ndërmjet tyre. Nëse jeni të bindur në këtë, atëherë besoni.”
[6] Faraoni u tha krerëve të popullit të tij që e rrethonin: “A nuk po dëgjoni fjalët e çuditshme të Musait, që pohon për ekzistencën e një Zoti tjetër përveç meje?”
[7] Musai tha: “Zoti, të cilin po ju ftoj t’i besoni, është Ai që ju ka krijuar ju dhe ka krijuar edhe etërit tuaj të hershëm. Si pra adhuroni atë që është i krijuar si ju, e që ka pasur etër që u shuan ashtu siç u shuan edhe etërit tuaj?”
[8] Faraoni u tha njerëzve të afërt të tij, duke nxitur zemërimin e tyre për ta përgënjeshtruar Musain: “Me të vërtetë, ky i dërguari juaj që është dërguar tek ju është i marrë; ai flet fjalë pa kuptim!”
[9] Musai tha: “(Ai është) Zoti i lindjes dhe i perëndimit dhe i asaj që është ndërmjet tyre, si edhe i asaj që ndodh në to prej drite dhe errësire. Kjo kërkon që të besoni vetëm Atë, nëse jeni prej atyre që kanë mend dhe reflektim!”
[10] Faraoni i tha Musait duke e kërcënuar: “Nëse merr për vete ndonjë zot tjetër përveç meje, patjetër do të të fus në burg, ashtu siç kam burgosur edhe të tjerë.”
[11] Musai tha: “Do të më bësh nga të burgosurit, edhe sikur të të sjell një dëshmi të prerë, nga e cila të bëhet e qartë se unë jam i vërtetë?”
[12] Faraoni tha: “Atëherë sillma dëshminë, nëse je prej atyre që thonë të vërtetën në atë që pretendon.”
[13] Atëherë Musai hodhi shkopin e tij dhe ai u shndërrua në një gjarpër të vërtetë, jo mashtrim siç bëjnë magjistarët.
[14] Pastaj Musai nxori dorën nga xhepi i tij dhe ajo doli e bardhë, që shkëlqente, duke mahnitur shikuesit.
[15] Faraoni u tha krerëve të popullit të tij, nga frika se mos besonin: “Me të vërtetë, Musai është një magjistar i aftë, i zoti!
[16] Ai është magjistar që dëshiron t’ju nxjerrë nga toka juaj me magjinë e tij. Çfarë mendimi më jepni për çështjen e tij, që të ndjek këshillën tuaj?”
[17] Paria e popullit të Faraonit i tha Faraonit: “Shtyje çështjen e Musait dhe Harunit, dhe dërgo nëpër qytete njerëz, që të mbledhin magjistarët;
[18] që të të sjellin çdo njeri që është mjeshtër në magji dhe i dalluar në të, që tja kalojnë Musait në magji.”
[19] Magjistarët u mblodhën në ditën dhe kohën e caktuar, koha e paradites në ditën e festës, kur njerëzit liroheshin nga punët e tyre, mblidheshin dhe zbukuroheshin; kjo për t’u takuar me Musain.
[20] Njerëzit u nxitën të mblidheshin, me shpresën që fitorja të ishte në anën e magjistarëve.
-368-
- Që të ndjekim magjistarët, nëse janë ata fituesit.”[1]
- Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: “A do të kemi shpërblim, nëse jemi ne fitues?”[2]
- Ai (Faraoni) tha: “Po, dhe do të jeni nga të afërtit e mi.”[3]
- Musai u tha atyre: “Hidhni atë që keni për të hedhur.”[4]
- Atëherë ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Për madhështinë e Faraonit, ne jemi padyshim fituesit.”[5]
- Pastaj Musai hodhi shkopin e tij dhe -ja!- ai i përpiu menjëherë objektet e iluzionit të tyre.[6]
- Atëherë magjistarët ranë të përkulur me fytyrë në sexhde,[7]
- dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e botëve,[8]
- Zotin e Musait dhe të Harunit.”[9]
- (Faraoni) tha: “A i besuat atij (Musait) para se t’ju jap leje unë? Ai padyshim është udhëheqësi juaj që ju ka mësuar magjinë. Por do ta shihni! Unë do t’jua pres duart dhe këmbët tërthorazi dhe do t’ju kryqëzoj të gjithëve.”[10]
- Ata thanë: “S’ka gjë! Ne do të kthehemi patjetër te Zoti ynë.[11]
- Ne shpresojmë që Zoti ynë të na falë gabimet tona, sepse ne ishim të parët që besuam.”[12]
- Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ik natën bashkë me robërit e Mi, se do të ndiqeni.”[13]
- Atëherë Faraoni dërgoi mobilizues nëpër qytete.[14]
- Dhe tha: “Këta janë vetëm një grup i vogël,[15]
- që me të vërtetë na kanë tërbuar,[16]
- por ne jemi të gjithë në gatishmëri.”[17]
- Kështu që Ne i nxorëm ata (Faraonin dhe popullin e tij) nga kopshtet dhe burimet,[18]
- nga thesaret dhe ndërtesat e tyre madhështore.[19]
- Kështu ndodhi, dhe Ne ua lamë trashëgim ato bijve të Izraelit.[20]
- Ata (ushtria e Faraonit) i ndoqën ata me lindjen e diellit.[21]
[1] Ne shpresojmë që fitorja të jetë për magjistarët, që kështu të qëndrojmë të patundur në fenë tonë.
[2] Kur magjistarët erdhën te Faraoni, i thanë atij: “A do të kemi shpërblim nga pasuria ose nga posti, nëse ne jemi ata që do ta mposhtim Musain?”
[3] Faraoni tha: “Po, do të keni tek unë atë shpërblim që kërkoni, dhe do të jeni nga të afërtit e mi.”
[4] Musai u tha magjistarëve, duke dashur të asgjësonte magjinë e tyre dhe të tregonte se ajo që solli ai nuk ishte magji: “Hidhni atë që doni të hidhni nga magjia juaj.”
[5] Atëherë ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre, dhe njerëzve iu duk sikur ato ishin gjarpërinj që lëviznin. Pastaj u betuan në madhështinë e Faraonit duke thënë: “Ne, me të vërtetë, jemi fitimtarët.”
[6] Pasaj Musai hodhi shkopin e tij, e menjëherë ai u bë një gjarpër i madh, që përpiu gjithçka që ata kishin shpikur me mashtrim dhe falsifikim.
[7] Kur magjistarët e panë atë dhe e kuptuan se nuk ishte mashtrim i magjistarëve, besuan në Allahun dhe ranë në sexhde para Tij, me fytyrën në Tokë;
[8] duke thënë: “Ne besuam në Zotin e botëve,
[9] Zotin e Musait dhe Harunit.»
[10] Faraoni u tha magjistarëve me përçmim: «A i besuat Musait pa lejen time?» – dhe duke dashur t’i mashtrojë, tha: «Ai është i madhi juaj që ju ka mësuar magjinë. Por shumë shpejt do ta mësoni dënimin që do t’ju godasë: Patjetër që do t’ju pres duart dhe këmbët kryq, duke prerë dorën e djathtë dhe këmbën e majtë ose anasjelltas, dhe do t’ju var të gjithëve.»
[11] Magjistarët i thanë Faraonit: «Nuk ka dëm për ne nga ajo që do të na godasë prej dënimit të kësaj bote, ne do të kthehemi te Zoti ynë, dhe Ai do të na japë begatinë e përhershme.
[12] Ne shpresojmë që Zoti ynë të na falë gjynahet tona, shirkun dhe të tjera, sepse ne ishim të parët që besuam nga populli yt.»
[13] Pastaj Allahu i shpalli Musait, paqja qoftë mbi të: «Udhëto natën me ata që kanë besuar nga bijtë e Izraelit, sepse Faraoni dhe ushtria e tij do t’ju ndjekin, që të mos ju arrijnë para se të mbërrini në det.»
[14] Atëherë Faraoni dërgoi ushtarët e tij – kur mori vesh për largimin e bijve të Izraelit – për të mbledhur ushtrinë e tij nga qytetet e mbretërisë së tij.
[15] Faraoni tha: «Me të vërtetë, bijtë e Izraelit që ikën me Musain janë një grup i vogël e i përçmuar,
[16] që na kanë tërbuar dhe na kanë mbushur zemrat me mllef, sepse kundërshtuan fenë tonë dhe dolën pa lejen tonë,
[17] por ne të gjithë jemi të kujdesshëm dhe plotësisht të përgatitur kundër tyre.”
[18] Dhe Allahu e nxori Faraonin dhe popullin e tij nga toka e Egjiptit, nga kopshtet dhe burimet e ujit,
[19] nga thesarët e arit dhe ndërtesat e bukura e madhështore.
[20] Kështu ndodhi, siç e përshkruam. Dhe pas mbytjes së Faraonit dhe ushtrisë së tij, të gjitha pasuritë e tyre ua lamë trashëgim bijve të Izraelit.
[21] Faraoni me ushtrinë e tij e ndoqi Musain dhe ata që ishin me të, në kohën e lindjes së diellit.
-369-
- Kur u përballën dy grupet, shokët e Musait thanë: “Ne me siguri do të kapemi.”[1]
- Ai tha: “Kurrsesi! Me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë.”[2]
- Dhe Ne i shpallëm Musait: “Godite detin me shkopin tënd!” Atëherë deti u nda, dhe çdo pjesë u bë si një mal i madh.[3]
- Dhe i tërhoqëm atje të tjerët.[4]
- Musain dhe ata që ishin me të, i shpëtuam të gjithë.[5]
- Pastaj i mbytëm të tjerët.[6]
- Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[7]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[8]
- Dhe tregoju atyre historinë e Ibrahimit.[9]
- Kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni?”[10]
- Ata thanë: “Ne adhurojmë idhuj dhe qëndrojmë tek ata me përkushtim.”[11]
- Ai tha: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni?[12]
- Apo ju sjellin ndonjë dobi, apo ju bëjnë ndonjë dëm?”[13]
- Ata thanë: “Jo, por i gjetëm etërit tanë duke bërë ashtu.”[14]
- Ai tha: “A e keni parë atë që adhuroni?[15]
- Ju dhe etërit tuaj të hershëm?[16]
- Me të vërtetë, ata janë armiq për mua, përveç Zotit të botëve,[17]
- i Cili më ka krijuar dhe është Ai që më udhëzon;[18]
- i Cili më ushqen dhe më jep të pi;[19]
- dhe kur sëmurem, është Ai që më shëron;[20]
- i Cili më jep vdekjen e pastaj më ringjall;[21]
- dhe tek i Cili shpresoj që të më falë gabimin tim Ditën e Gjykimit![22]
- O Zoti im, më dhuro urtësi dhe më bashko me të mirët![23]
[1] Kur secili nga dy grupet e pa tjetrin, shokët e Musait thanë: “Me siguri, ushtria e Faraonit do të na arrijë dhe do të na shkatërrojë.”
[2] Musai u tha atyre: “Kurrsesi, nuk do të kapemi; me mua është Zoti im me ndihmë, Ai do të më udhëzojë dhe do të më drejtojë në atë që është shpëtimi im dhe i juaji.”
[3] Atëherë Ne i shpallëm Musait: “Godite detin me shkopin tënd!” Ai e goditi, dhe deti u nda në dymbëdhjetë rrugë, sipas numrit të fiseve të bijve të Izraelit, dhe çdo pjesë e ndarë e detit u bë si një mal i madh.
[4] Dhe Ne e tërhoqëm atje Faraonin dhe popullin e tij derisa hynë në det.
[5] Musain dhe ata që ishin me të i shpëtuam të gjithë, nga mbytja dhe nga Faraoni. Deti qëndroi i ndarë derisa ata kaluan në tokë, në anën tjetër.
[6] Pastaj Ne e mbytëm Faraonin dhe ata që ishin me të duke e mbyllur detin mbi ta, pasi hynë në të duke ndjekur Musain dhe popullin e tij.
[7] Me të vërtetë, në atë që ndodhi ka një mësim të madh dhe një provë që tregon fuqinë e Allahut, por shumica e pasuesve të Faraonit nuk besuan, edhe pas kësaj shenje madhështore. Nga ata nuk besoi askush tjetër, përveç Asijes – gruaja e Faraonit, Hizekielit – besimtarit nga familja e Faraonit, dhe Merjemit, bija e Namusit, e cila tregoi vendin ku ishin eshtrat e Jusufit (paqja qoftë mbi të).
[8] Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti; me fuqinë e Tij shkatërroi jobesimtarët që përgënjeshtruan, dhe me mëshirën e Tij shpëtoi Musain dhe të gjithë ata që ishin me të.
[9] Dhe tregoju mohuesve – o i Dërguar – historinë e Ibrahimit,
[10] kur Ibahimi i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?”
[11] Ata thanë: “Ne adhurojmë idhuj dhe vazhdojmë me përkushtim në adhurimin e tyre dhe në shërbim të tyre.”
[12] Ibrahimi tha, duke i tërhequr vërejtjen për prishjen e besimit të tyre: «A ju dëgjojnë ata kur ju luteni atyre?
[13] Apo ju sjellin ndonjë dobi kur i adhuroni? Apo ju shkaktojnë ndonjë dëm nëse i lini pa adhuruar?”
[14] Ata thanë: “Asgjë nga këto nuk ndodh prej tyre, por ne i gjetëm etërit tanë duke i adhuruar, prandaj i imituam në atë që bënin.”
[15] Ibrahimi tha: “A pra e keni parë me vëmendje atë që adhuronit – idhujt që as nuk dëgjojnë, as nuk sjellin dobi, e as nuk bëjnë dëm –
[16] ju dhe etërit tuaj të hershëm para jush?
[17] Me të vërtetë, ato që i adhuroni në vend të Allahut janë armiq për mua; por Zotin e botëve, që është Sunduesi i tyre, vetëm Atë e adhuroj.
[18] Është Ai që më krijoi në formën më të bukur dhe më udhëzon drejt të mirave të kësaj bote dhe të botës tjetër.
[19] Është Ai që më furnizon me ushqim dhe pije.
[20] Dhe kur sëmurem, është Ai që më shëron dhe më jep shëndet.
[21] Është Ai që më jep vdekjen duke më marrë shpirtin, pastaj më ringjall Ditën e Kiametit – askush tjetër përveç Tij nuk ka fuqi për këtë.
[22] Dhe është Ai tek i cili shpresoj të më falë gabimin tim Ditën e Shpërblimit. – Vetëm Allahu ka në dorë të mirën dhe të keqen time, dobishmërinë dhe dëmin tim. Ai është Zot i pushtetit dhe sundimit, i kësaj bote dhe i botës tjetër. Ndërsa idhujt që adhurohen përveç Tij nuk dëgjojnë, nuk sjellin dobi dhe nuk mund të dëmtojnë.
[23] Ibrahimi iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, më dhuro dituri dhe kuptim, dhe më bashko me të drejtët, duke më mbledhur me ta në Xhenet.”
-370-
- Dhe bëj që të përmendem për mirë ndër brezat që do të vijnë,[1]
- dhe më bëj nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatisë.[2]
- Dhe fale babanë tim, sepse ai është nga të humburit.[3]
- Dhe mos më turpëro Ditën kur do të ringjallen,[4]
- ditën kur nuk do të vlejë as pasuria, as fëmijët,[5]
- përveç atij që i vjen Allahut me një zemër të pastër.[6]
- (Atë ditë) Xheneti do t’u afrohet të devotshmëve,[7]
- ndërsa Zjarri do t’u shfaqet të devijuarve.[8]
- Dhe atyre do t’u thuhet: ‘Ku janë ata që i adhuronit,[9]
- përveç Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ju, apo të ndihmojnë vetveten?’[10]
- Pastaj do të hidhen përmbys aty, ata (idhujt) dhe të devijuarit,[11]
- dhe ushtritë e Iblisit, të gjithë së bashku.[12]
- Dhe aty (në Zjarr), duke u grindur mes tyre, do të thonë:[13]
- “Pasha Allahun, ne kemi qenë në një humbje të qartë,[14]
- kur ju barazonim me Zotin e botëve.[15]
- Dhe nuk na devijoi kush tjetër përveç kriminelëve.[16]
- Tashmë nuk kemi më as ndonjë ndërmjetësues,[17]
- e as ndonjë mik të afërt.[18]
- Ah, sikur të kishim një mundësi kthimi, që të bëheshim prej besimtarëve!”[19]
- Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[20]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[21]
- Populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit.[22]
- Kur vëllai i tyre, Nuhu, u tha atyre: “A nuk e keni frikë Allahun?[23]
- Me të vërtetë, unë jam një i dërguar besnik për ju;[24]
- Prandaj kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.[25]
- Unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim për këtë; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve.[26]
- Prandaj kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.”[27]
- Ata thanë: ‘A të besojmë ty, ndërkohë që ty të ndjekin vetëm më të ulëtit?’[28]
[1] Dhe bëma që të kem një lavdërim të mirë dhe një përmendje të bukur tek ata që do të vijnë pas meje, deri në Ditën e Kiametit.
[2] Dhe bëma që të jem prej robërve të Tu, të cilëve Ti ua lë në trashëgim begatitë e Xhenetit.
[3] Kjo është një lutje e Ibrahimit, paqja qoftë mbi të, që Allahu ta shpëtonte babanë e tij nga humbja në udhëzim, ta falte dhe t’ia fshinte mëkatet, ashtu siç i kishte premtuar Ibrahimi babait të tij se do të lutej për të. Por kur iu bë e qartë se ai do të vazhdonte në kufër dhe shirk deri sa të vdiste, ai u largua prej tij (u distancua).
[4] Dhe mos më përfshij në poshtërim Ditën kur njerëzit do të dalin nga varret për llogari dhe shpërblim;
[5] Ditën kur pasuria dhe fëmijët nuk do t’i bëjnë dobi askujt prej robërve,
[6] përveç atij që i vjen Allahut me një zemër të pastër nga kufri, hipokrizia dhe ligësia.
[7] Atë ditë Xheneti do t’u afrohet atyre që u shmangën kufrit dhe mëkateve, dhe iu drejtuan Allahut me bindje.
[8] Ndërsa Zjarri i Xhehenemit do t’u shfaqet mohuesve, të cilët u larguan nga udhëzimi, guxuan ndaj të ndaluarave të Allahut dhe i përgënjeshtruan të dërguarit e Tij.
[9] Dhe të devijuarve do t’u thuhet me qortim: “Ku janë zotat tuaj që i adhuronit përveç Allahut,
[10] Ku janë zotat tuaj që i adhuronit përveç Allahut, dhe pretendonit se do të ndërmjetësonin për ju sot? A mund t’ju ndihmojnë ata, duke e larguar dënimin prej jush, apo të mbrojnë veten nga dënimi? – Asgjë nga këto nuk mund të bëjnë.”
[11] Atëherë idhujt do të mblidhen dhe do të hidhen përmbys në Xhehenem, bashkë me të devijuarit që i adhuronin ata,
[12] dhe me ushtarët e ndihmësit e Iblisit që ua zbukuruan atyre të keqen; askush prej tyre nuk do të shpëtojë.
[13] Duke pranuar gabimin e tyre, ndërsa grindeshin në Xhehenem me ata që i kishin devijuar, ata do të thonë:
[14] “Pasha Allahun, ne kemi qenë në një humbje të qartë në dynja, pa asnjë dyshim;
[15] kur ju barazonim me Zotin e botëve, i Cili është i Vetmi që meriton të adhurohet.
[16] Dhe nuk na hodhi në këtë përfundim të keq veçse kriminelët, të ligjtë, ushtarët e Iblisit, që na ftuan në adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut, dhe ne i ndoqëm.
[17] Nuk ka askush që të ndërmjetësojë për ne tek Allahu dhe të na shpëtojë nga dënimi i Tij,
[18] e as ndonjë mik të sinqertë që të ketë mëshirë për ne e të na ndihmojë.
[19] Ah, sikur të kishim një kthim në dynja, e të bëheshim prej besimtarëve të shpëtuar.
[20] Me të vërtetë, në historinë e Ibrahimit ka një mësim për ata që marrin këshillë, por shumica e atyre që e dëgjuan këtë histori nuk u bënë besimtarë.
[21] Dhe Zoti yt është i Plotfuqishmi, i Aftë të ndëshkojë përgënjeshtruesit, Mëshirëploti ndaj robërve të Tij besimtarë.
[22] Populli i Nuhut e përgënjeshtroi mesazhin e të dërguarit të tyre, dhe me këtë ata qenë përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve; sepse çdo i dërguar urdhëron për besimin në të gjithë të dërguarit.
[23] Kur vëllai i tyre, Nuhu (Paqja qoftë mbi të!) u tha atyre: “A nuk i frikësoheni Allahut duke lënë adhurimin e gjithçkaje tjetër përveç Tij?
[24] Me të vërtetë, unë jam për ju një i dërguar besnik në atë që ju përcjell.
[25] Prandaj bëjeni besimin një mbrojtje për veten tuaj nga dënimi i Allahut dhe bindmuni në atë që ju urdhëroj, që është adhurimi vetëm i Allahut.
[26] Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për përcjelljen e mesazhit; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve, që vepron mbi krijesat e Tij.
[27] Prandaj ruajuni nga ndëshkimi i Allahut dhe bindmuni mua duke zbatuar urdhrat dhe duke ju shmangur ndalesave të Allahut.
[28] Populli i Nuhut i tha atij: “Si të të besojmë dhe të të ndjekim, kur ata që të ndjekin ty janë njerëzit më të varfër dhe më të ulët?”
-371-
- Ai (Nuhu) tha: “Unë nuk di se çfarë bëjnë ata.[1]
- Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, sikur ta kuptonit.[2]
- Unë nuk do t’i dëboj besimtarët.[3]
- Unë jam vetëm një paralajmërues i qartë.”[4]
- Ata thanë: “Nëse nuk ndalesh, o Nuh, me siguri do të bëhesh prej të gurëzuarve.”[5]
- Ai tha: “O Zoti im, populli im më përgënjeshtroi;[6]
- prandaj gjyko mes meje dhe atyre me një gjykim të qartë, dhe më shpëto mua dhe ata që janë bashkë me mua prej besimtarëve.”[7]
- Dhe Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anijen e mbushur plot.[8]
- Pastaj i mbytëm të tjerët që mbetën pas.[9]
- Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[10]
- Dhe me të vërtetë Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[11]
- Adi i përgënjeshtroi të dërguarit.[12]
- Kur vëllai i tyre, Hudi, u tha atyre : “A nuk e keni frikë Allahun?[13]
- Me të vërtetë, unë jam një i dërguar besnik për ju.[14]
- Prandaj kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.[15]
- Unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim për këtë; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve.[16]
- A mos vallë, në çdo vend të lartë ndërtoni një shenjë dukjeje vetëm për t’u tallur?[17]
- Dhe ngrini kështjella, sikur do të jetoni përgjithmonë?[18]
- Dhe kur godisni (në ndëshkim), e bëni si tiranë?[19]
- Pra, kini frikë Allahun dhe bindmuni mua![20]
- Kini frikë Atë që ju furnizoi me atë që e dini,[21]
- ju furnizoi me bagëti dhe fëmijë,[22]
- me kopshte dhe me burime.[23]
- Me të vërtetë, unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të Madhe.”[24]
- Ata thanë: “Për ne është njësoj, a na këshillon, apo nuk je prej këshilluesve.[25]
[1] Nuhu, paqja qoftë mbi të, u përgjigj: Unë nuk jam i ngarkuar të di veprat e tyre; detyra ime është vetëm t’i thërras në besim. Vlera qëndron tek besimi, e jo tek prejardhja, pasuria apo zejet dhe profesionet.
[2] Llogaria e tyre për shpërblimin e veprave dhe gjendjen e brendshme i takon vetëm Zotit tim, i Cili është i Dijshëm për sekretet e zemrave. Sikur ta kuptonit këtë, nuk do ta thoshit këtë fjalë.
[3] “Unë nuk do t’i dëboj ata që besojnë në thirrjen time, cilado qoftë gjendja e tyre, për t’ju plotësuar dëshirën tuaj që të më besoni.
[4] Unë nuk jam tjetër veçse një paralajmërues i qartë; që jua kam bërë të qartë paralajmërimin dhe nuk jua kam fshehur aspak këshillën.
[5] Pastaj populli i Nuhut kaloi nga debati te kërcënimi, dhe i thanë atij: “Nëse nuk heq dorë, o Nuh, nga thirrja jote, me siguri do të jesh prej të vrarëve me gurë.”
[6] Kur Nuhu e dëgjoi këtë fjalë të tyre, iu lut Zotit të tij duke thënë: “O Zoti im, populli im këmbënguli në përgënjeshtrimin tim;
[7] prandaj gjyko mes meje dhe tyre me një gjykim me të cilin shkatërron ata që mohuan Njësinë Tënde dhe e përgënjeshtruan të dërguarin Tënd. Dhe më shpëto mua dhe ata që janë me mua prej besimtarëve nga ajo me të cilën i ndëshkon jobesimtarët.”
[8] Dhe Ne e shpëtuam Nuhun dhe ata që ishin me të në anijen e mbushur plot me lloje të ndryshme krijesash që ai mori me vete.
[9] Pastaj, pasi shpëtuam Nuhun dhe ata që ishin me të, Ne i mbytëm të tjerët që mbetën, të cilët nuk besuan nga populli i tij dhe e hodhën poshtë këshillën e tij.
[10] Me të vërtetë, në historinë e Nuhut dhe në shpëtimin e besimtarëve si dhe në shkatërrimin e përgënjeshtruesve ka një shenjë dhe një mësim të madh për ata që vijnë pas tyre, por shumica e atyre që e dëgjojnë këtë histori nuk besojnë në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në Ligjin e Tij.
[11] Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi në hakmarrjen e Tij ndaj atyre që mohuan dhe kundërshtuan urdhrin e Tij, dhe i Mëshirëshmi ndaj robërve të Tij besimtarë.
[12] Fis’i Adit e përgënjeshtroi të dërguarin e tyre, Hudin – paqja qoftë mbi të – dhe me këtë ata qenë përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve, sepse thirrja e tyre ishte e njëjtë në thelb dhe në qëllim.
[13] Kur vëllai i tyre, Hudi -paqja qoftë mbi të-, u tha atyre: “A nuk i frikësoheni Allahut, që t’ia përkushtoni vetëm Atij adhurimin?
[14] Me të vërtetë, unë jam i dërguar tek ju për t’ju udhëzuar dhe këshilluar; ruaj besnikërisht mesazhin e Allahut dhe ua përcjell ashtu siç më ka urdhëruar Zoti im.
[15] Prandaj kini frikë nga ndëshkimi i Allahut dhe bindmuni në atë që ju solla prej Tij.
[16] Unë nuk ju kërkoj për udhëzimin tuaj në njësimin e Allahut asnjë lloj shpërblimi; shpërblimi im është vetëm tek Zoti i botëve.
[17] A ndërtoni në çdo vend të lartë një objekt madhështor në shenjë dukjeje dhe krenarie, prej nga shikoni poshtë dhe talleni me kalimtarët?
[18] Dhe ngrini pallate të fortifikuara dhe kështjella të larta, sikur do të qëndroni përgjithmonë në këtë botë e nuk do të vdisni.
[19] Dhe kur ushtroni dhunë ndaj ndonjë krijese me vrasje ose me goditje, e bëni këtë si tiranë të pamëshirshëm.
[20] Pra, frikësohuni nga Allahu dhe zbatoni atë që ju thërras unë, sepse është më e dobishme për ju.
[21] Kini frikë Allahun, i Cili ju dha prej mirësive të shumta që janë të qarta për ju:
[22] ju dha bagëti – deve, lopë e dele; dhe ju dha fëmijë;
[23] ju dha kopshte me fruta; dhe nxori për ju ujë nga burimet që rrjedhin.
[24] Hudi – paqja qoftë mbi të – u tha duke i paralajmëruar: “Unë kam frikë se, nëse këmbëngulni në atë ku jeni – në përgënjeshtrim, padrejtësi dhe mohimin e mirësive – Allahu do t’ju zbresë një dënim në një ditë me tmerr e ashpërsi të madhe.”
[25] Ata i thanë: “Për ne është njësoj, qoftë nëse na këshillon e na frikëson, qoftë nëse nuk e bën; ne nuk do të besojmë tek ti.”
-372-
- Kjo është thjesht tradita e paraardhësve tanë.[1]
- Dhe ne nuk do të ndëshkohemi.”[2]
- Ata e përgënjeshtruan atë (Hudin), prandaj i shkatërruam. Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[3]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[4]
- Themudi i përgënjeshtroi të dërguarit.[5]
- Kur vëllai i tyre, Salihu, u tha atyre: “A nuk e keni frikë Allahun?[6]
- Me të vërtetë, unë jam një i dërguar besnik për ju.[7]
- Prandaj, kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.[8]
- Unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim për këtë; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve.[9]
- A do t’ju lihet të jetoni këtu të sigurt,[10]
- në kopshte dhe burime,[11]
- në fusha të mbjella dhe palma hurmash me fruta të buta e të shijshme;[12]
- që ju të gdhendni në male shtëpi luksoze me krenari?[13]
- Pra, kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.[14]
- Dhe mos iu bindni urdhrit të atyre që e teprojnë,[15]
- atyre që bëjnë shkatërrime në Tokë dhe nuk përmirësojnë.”[16]
- Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur.[17]
- Ti nuk je veçse një njeri si ne, prandaj na sill një provë, nëse thua të vërteëtën.”[18]
- Ai tha: “Ja, kjo është një deve; ajo do të ketë pjesën e saj të ujit, kurse ju do të keni pjesën tuaj në ditën e caktuar.[19]
- Mos e prekni me asgjë të keqe, se përndryshe do t’ju kapë dënimi i një dite të madhe.”[20]
- Por ata e therën atë (devenë), dhe pastaj u penduan.[21]
- Kështu që i kapi dënimi. Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[22]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[23]
[1] Dhe thanë: “Kjo, në të cilën jemi, nuk është gjë tjetër veçse feja dhe zakonet e të parëve tanë.”
[2] “Dhe ne nuk do të ndëshkohemi për atë që bëjmë, nga ato me të cilat na ke paralajmëruar për dënim.”
[3] Dhe vazhduan në përgënjeshtrimin e Hudit, prandaj Allahu i shkatërroi me një erë të ftohtë dhe shumë të fortë. Me të vërtetë, në këtë shkatërrim ka një mësim për ata që vijnë pas tyre, por shumica e atyre që e dëgjojnë historinë e tyre nuk do të besojnë.
[4] Dhe Zoti yt është i Plotfuqishmi, që e realizon atë që dëshiron nga shkatërrimi i përgënjeshtruesve, i Mëshirëshmi ndaj besimtarëve.
[5] Fis’i Themudit e përgënjeshtroi vëllain e tyre, Salihun, në shpalljen dhe thirrjen e tij për Njësimin e Allahut, dhe me këtë ata qenë përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve, sepse të gjithë ata thërrasin në Njësimin e Allahut.
[6] Kur vëllai i tyre, Salihu, u tha atyre: “A nuk i frikësoheni dënimit të Allahut, që t’ia kushtoni vetëm Atij adhurimin?
[7] Unë jam i dërguar prej Allahut tek ju, ruaj besnikërisht këtë mesazh ashtu siç e mora prej Allahut,
[8] prandaj kini frikë nga ndëshkimi i Tij dhe zbatoni atë për të cilën ju thirra.
[9] Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këshillën dhe udhëzimin tim; shpërblimi im është vetëm tek Zoti i botëve.”
[10] A do t’ju lërë Zoti juaj në atë mirëqenie ku jeni, të qetë në këtë botë, të sigurt nga dënimi, zhdukja dhe vdekja?
[11] Në kopshte plot fruta e burime që rrjedhin,
[12] në fusha të mbjella me bollëk dhe në palma hurmash me fruta të pjekura, të buta e të shijshme;
[13] Mendoni se do të liheni të jetoni thjesht që të gdhendni shtëpi në male me mjeshtëri, plot mendjemadhësi dhe arrogancë?
[14] Pra, frikësohuni nga ndëshkimi i Allahut dhe pranoni këshillën time, se nuk është ashtu si mendoni ju, dhe ju nuk do të jeni këtu përgjithmonë, dhe Allahu nuk ju ka krijuar thjesht që të mburreni me gdhëndjet tuaja nëpër male me mjeshtëri, por për të adhuruar Allahun.
[15] Dhe mos ndiqni urdhrin e atyre që i kanë bërë padrejtësi vetes, që këmbëngulin në mëkat ndaj Allahut,
[16] të cilët janë mësuar të bëjnë shkatërrim në tokë, pa asnjë lloj përmirësimi.”
[17] Njerëzit e fisit Themud i thanë profetit të tyre, Salihut (paqja qoftë mbi të!): “Ti nuk je tjetër veçse një nga ata që janë magjepsur shumë, sa që magjia të ka pushtuar mendjen.
[18] Ti nuk je veçse një njeri si ne, prej bijve të Ademit, e si mund të dallohesh mbi ne me shpalljen? Sill një argument të qartë që tregon vërtetësinë e misionit tënd, nëse je i sinqertë në pretendimin tënd se Allahu të ka dërguar tek ne.”
[19] Salihu u tha atyre – pasi Allahu i solli një deve nga shkëmbi si provë, shenjë dhe mrekulli: “Kjo është deveja e Allahut. Ajo ka pjesën e saj nga uji në një ditë të caktuar, dhe ju keni pjesën tuaj në një ditë tjetër. Nuk ju lejohet të pini në ditën që është pjesa e saj, dhe asaj nuk i lejohet të pijë në ditën që është pjesa juaj.
[20] Mos i bëni asgjë të keqe dhe mos e prekni me asgjë që e dëmton, si goditje, therje apo diçka të ngjashme, që të mos ju shkatërrojë Allahu me një dënim të një dite me tmerr dhe ashpërsi të madhe.”
[21] Por ata e therën devenë, pastaj u penduan për atë që kishin bërë, kur e kuptuan se dënimi ishte i pashmangshëm; por pendimi i tyre nuk u solli asnjë dobi.
[22] Atëherë zbriti mbi ta dënimi i Allahut, me të cilin i kishte paralajmëruar Salihu, paqja qoftë mbi të, dhe i shkatërroi. Me të vërtetë, në shkatërrimin e Themudit ka një mësim për këdo që merr këshillë nga ky përfundim, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
[23] Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi që merr hak ndaj armiqve të Tij përgënjeshtrues, i Mëshirëshmi ndaj atyre që besuan nga krijesat e Tij.
-373-
- Populli i Lutit i përgënjeshtroi të dërguarit.[1]
- Kur vëllai i tyre, Luti, u tha atyre: “A nuk e keni frikë Allahun?[2]
- Me të vërtetë, unë jam një i dërguar besnik për ju.[3]
- Prandaj, kini frikë Allahun dhe bindmuni.[4]
- Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për këtë; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve.[5]
- A ju afroheni meshkujve prej njerëzve,[6]
- dhe lini gratë tuaja, që Zoti juaj i ka krijuar për ju?! Ju jeni vërtet një popull që i ka kaluar kufijtë.[7]
- Ata thanë: “O Lut, nëse nuk ndalesh, do të jesh prej të dëbuarve.”[8]
- Ai tha: “Unë jam prej atyre që e urrejnë veprën tuaj.[9]
- Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time prej asaj që ata bëjnë!”[10]
- Atëherë Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, të gjithë,[11]
- përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me ata që u shkatërruan.[12]
- Pastaj i shkatërruam të tjerët.[13]
- Dhe mbi ta lëshuam një shi (gurësh); sa i keq ishte ai shi për ata që ishin paralajmëruar![14]
- Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[15]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[16]
- Banorët e Ejkes (Pyllit) i përgënjeshtruan të dërguarit.[17]
- Kur Shuajbi u tha atyre: “A nuk e keni frikë Allahun?[18]
- Me të vërtetë, unë jam një i dërguar besnik për ju.[19]
- Prandaj, kini frikë Allahun dhe bindmuni mua.[20]
- Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për këtë; shpërblimi im është vetëm te Zoti i botëve.[21]
- Plotësoni masën dhe mos u bëni prej atyre që pakësojnë (në peshë e masë)![22]
- Matni me peshoren e drejtë![23]
- Mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre dhe mos bëni shkatërrime në tokë, duke qenë prishës![24]
[1] Populli i Lutit e përgënjeshtroi shpalljen e tij, dhe me këtë ata qenë përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve të Allahut, sepse ajo me të cilën ata erdhën – njësimi i Allahut dhe bazat e ligjeve – ishte një.
[2] Kur vëllai i tyre, Luti, u tha atyre: “A nuk i frikësoheni dënimit të Allahut?
[3] Unë jam i dërguar nga Zoti juaj, i besueshëm në përcjelljen e mesazhit të Tij tek ju.
[4] Prandaj ruajuni nga dënimi i Allahut për shkak të përgënjeshtrimit tuaj të të dërguarit të Tij dhe më ndiqni në atë që ju thërras.
[5] Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për thirrjen time për udhëzim; shpërblimi im është vetëm tek Zoti i botëve.
[6] A ju afroheni me epsh meshkujve prej bijve të Ademit (mashkull me mashkull);
[7] dhe lini gratë tuaja që Allahu i ka krijuar për kënaqësinë dhe shumimin tuaj? Vërtet, ju jeni një popull që – me këtë mëkat – keni kaluar kufijtë, nga ajo që Allahu ju ka lejuar prej hallallit në të ndaluarën.”
[8] Populli i Lutit tha: “Nëse nuk heq dorë, o Lut, nga ndalimi ynë për t’iu afruar meshkujve dhe nga qortimi i kësaj vepre, do të jesh patjetër prej të dëbuarve nga vendi ynë.”
[9] Luti u tha atyre: “Unë, kam neveri për veprën që ju bëni – afrimin tek meshkujt – dhe jam prej atyre që e urrejnë atë me një urrejtje të madhe.”
[10] Pastaj Luti iu lut Zotit të vet, kur u dëshpërua nga përgjigjja e tyre, duke thënë: “O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bën populli im prej këtij mëkati të shëmtuar dhe nga ndëshkimi Yt që do t’i godasë ata!”
[11] Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, si edhe ata që iu përgjigjën thirrjes së tij, të gjithë,
[12] përveç një plake nga familja e tij – që ishte gruaja e tij – e cila nuk mori pjesë në besim, prandaj mbeti me ata që u kapluan nga dënimi dhe shkatërrimi.
[13] Pastaj i shkatërruam me një shkatërrim të madh të gjithë mohuesit nga populli i Lutit.
[14] Dhe zbritëm mbi ta gurë nga qielli si shi, që i zhdukën ata. Sa i keq ishte ky shi për ata që i paralajmëruan të dërguarit e tyre, por ata nuk iu përgjigjën; ndaj u goditën me llojin më të rëndë të shkatërrimit dhe dënimit.
[15] Me të vërtetë, në atë ndëshkim që zbriti mbi popullin e Lutit ka një mësim dhe këshillë, nga e cila duhet të marrin këshillë përgënjeshtruesit. Por shumica e tyre nuk do të besojnë.
[16] Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi që nënshtron përgënjeshtruesit, i Mëshirëshmi ndaj robërve të Tij besimtarë.
[17] Banorët e pyllit të Ejkes, apo tokës me drunj të dendur, pranë Medjenit, e përgënjeshtruan të dërguarin e tyre, Shuajbin, në shpalljen e tij, dhe me këtë qenë përgënjeshtrues të të gjitha shpalljeve.
[18] Kur Shuajbi u tha atyre: “A nuk i frikësoheni dënimit të Allahut për shkak të shirkut dhe mëkateve tuaja?
[19] Unë jam i dërguar tek ju prej Allahut për t’ju udhëzuar, i besueshëm në atë që Allahu më ka shpallur prej mesazhit.
[20] Prandaj kini frikë nga dënimi i Allahut dhe ndiqni atë në të cilën ju thirra prej udhëzimit të Allahut, që të gjeni rrugën e drejtë.
[21] Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për thirrjen time që të besoni në Allahun; shpërblimi im është vetëm tek Zoti i botëve.”
[22] Shuajbi u tha atyre – pasi ata i pakësonin masat dhe peshat, hanin në peshojë: “Plotësojeni masën për njerëzit, duke ua dhënë atë të plotë, dhe mos u bëni prej atyre që ua pakësojnë njerëzve të drejtat e tyre.
[23] Matni me peshoren e drejtë dhe të saktë.
[24] Mos ua pakësoni njerëzve asgjë nga të drejtat e tyre, qoftë në masë, peshë apo diçka tjetër. Dhe mos e shtoni prishjen në tokë me shirk, vrasje, grabitje, frikësim të njerëzve dhe kryerje mëkatesh.
-374-
- Dhe kini frikë Atë, që ju krijoi ju dhe brezat e mëparshëm!”[1]
- Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur.[2]
- Ti nuk je veçse një njeri si ne, dhe ne të mendojmë prej gënjeshtarëve.[3]
- Lësho mbi ne copa nga qielli, nëse je prej atyre që thonë të vërtetën.”[4]
- Ai tha: “Zoti im është më i Dijshmi për atë që ju bëni.”[5]
- Por ata e përgënjeshtruan, prandaj i kapi dënimi i Ditës së Resë me Hije; me të vërtetë, ishte dënimi i një dite të madhe.[6]
- Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë, por shumica e tyre (njerëzve) nuk janë besimtarë.[7]
- Dhe me të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[8]
- Dhe me të vërtetë, ky (Kur’an) është shpallje nga Zoti i botëve.[9]
- Me të zbriti Shpirti i Besueshëm (Xhibrili),[10]
- në zemrën tënde (o Muhamed), që të jesh prej paralajmëruesve,[11]
- në gjuhën arabe të qartë.[12]
- Dhe me të vërtetë, ai (Kurani) është përmendur në shkrimet e shenjta të të mëparshmëve.[13]
- A nuk ishte për ta një provë që dijetarët e bijve të Izraelit e dinin të vërtetën e tij (Kuranit)?[14]
- Edhe sikur t’ia shpallnim atë (Kuranin) ndonjë joarabi,[15]
- dhe ai t’ua lexonte atyre, ata përsëri nuk do të besonin në të.[16]
- Kështu e futëm atë (mohimin) në zemrat e kriminelëve.[17]
- Ata nuk do të besojnë në të (Kuran), derisa të shohin dënimin e dhembshëm,[18]
- i cili do t’u vijë papritur, ndërsa ata nuk do ta ndiejnë.[19]
- Atëherë do të thonë: “A do të na jepet afat (për shpëtim)?”[20]
- A vallë, dënimin Tonë duan të shpejtojnë?[21]
- A nuk mendon: edhe nëse Ne u japim atyre të kënaqen për vite të tëra,[22]
- pastaj t’u vijë ai (dënim) që u është premtuar,[23]
[1] Dhe ruajuni nga ndëshkimi i Allahut, i Cili ju krijoi ju dhe krijoi edhe popujt që ishin para jush.
[2] Ata thanë: Ti – o Shuajb – je vetëm një nga ata që është goditur rëndë nga magjia, saqë të ka marrë mendjen.
[3] Ti nuk je veçse një njeri si ne, prandaj si mund të veçohesh mbi ne me shpalljen? Dhe mendimi ynë më i madh për ty është se je prej gënjeshtarëve në atë që pretendon se të shpallet nga Zoti.
[4] Nëse je i sinqertë në pretendimin tënd për profeci, lute Allahun të lëshojë mbi ne copa nga qielli që të na zhdukin.”
[5] Shuajbi u tha: “Zoti im është më i Dijshmi për atë që ju bëni prej shirkut dhe mëkateve, dhe për atë që meritoni nga ndëshkimi.”
[6] Ata vazhduan ta përgënjeshtrojnë, prandaj i goditi një vapë e rëndë, dhe filluan të kërkonin një strehë ku të merrnin hije. Atëherë u shfaq mbi ta një re, tek e cila ndjenë freski dhe erë të lehtë. Por kur u mblodhën të gjithë nën të, ajo shpërtheu në zjarr mbi ta dhe i dogji, kështu që shkatërrimi i tyre ndodhi i plotë në një ditë me tmerr të madh. – Dhe kështu, u erdhi dënimi me copa qielli siç e kërkuan vetë ata!
[7] Me të vërtetë, në atë ndëshkim që zbriti mbi ta ka një shenjë të qartë për fuqinë e Allahut në kapjen e përgënjeshtruesve dhe një mësim për këdo që merr këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë që të përfitojnë nga ajo.
[8] Dhe me të vërtetë, Zoti yt – o i Dërguar – është i Plotfuqishmi në hakmarrjen e Tij ndaj armiqve që i ndëshkoi, dhe i Mëshirëshmi ndaj robërve të Tij që e njësojnë Atë.
[9] Dhe me të vërtetë, ky Kur’an, në të cilin janë përmendur këto tregime të vërteta, është shpallur prej Krijuesit të gjithësisë dhe Sunduesit të çdo gjëje.
[10] Me të zbriti Xhibrili i besueshëm,
[11] dhe ta lexoi ty – o Muhamed – derisa ti e mësove përmendësh dhe e kuptove me zemrën tënde, që të jesh prej të dërguarve të Allahut që paralajmërojnë njerëzit nga ndëshkimi i Allahut. Me këtë shpallje ti paralajmëron të gjithë njerëzit dhe xhinët.
[12] Xhibrili ta zbriti atë në gjuhën e qartë arabe, me kuptim të qartë dhe shenja të dukshme, në atë që ata kanë nevojë për rregullimin e çështjeve të fesë dhe jetës së tyre.
[13] Dhe me të vërtetë, përmendja e këtij Kur’ani është e shënuar në librat e profetëve të mëparshëm; ata e kanë përgëzuar dhe e kanë vërtetuar atë.
[14] A nuk u mjafton këtyre – si dëshmi se ti je i Dërguari i Allahut dhe se Kur’ani është i vërtetë – dituria e dijetarëve të Beni Israilëve për vërtetësinë e tij, dhe besimi i atyre prej tyre, si Abdullah ibn Selami?
[15] Edhe sikur ta kishim zbritur Kur’anin mbi ndonjë që nuk ishte arab dhe nuk fliste arabisht,
[16] e ai t’ua lexonte idhujtarëve të Kurejshit në arabishten e saktë, ata përsëri do ta mohonin atë, duke shpikur një justifikim për mohimin e tyre.
[17] Kështu e kemi futur mohimin e Kur’anit në zemrat e kriminelëve, dhe mohimi është bërë i ngulitur në to për shkak të padrejtësisë dhe krimit të tyre.
[18] Prandaj nuk ka mënyrë që ata të kthehen nga mohimi i tyre, derisa të shohin me sytë e tyre ndëshkimin e rëndë me të cilin janë kërcënuar.
[19] Atëherë ndëshkimi do t’u zbresë papritur, pa e ditur se do t’u vijë, dhe pa e pritur aspak; por duke u ndjerë në siguri të plotë.
[20] Dhe kur dënimi t’i befasojë, do të thonë me keqardhje për atë që u ka ikur nga besimi: “A do të na jepet kohë e shtyrje, që të pendohemi tek Allahu për shirkun tonë dhe të kompensojmë atë që na ka kaluar?”
[21] A i ka mashtruar këta vonesa Ime (në dënim), saqë nxitohen të kërkojnë që ndëshkimi të zbresë mbi ta nga qielli sa më shpejt? A janë të gatshëm për dënimin Tonë?!
[22] A nuk mendon – o Muhamed – që edhe sikur Ne t’u japim atyre jetë të gjatë duke u zgjatur afatet për shumë vite,
[23] pastaj t’u zbresë dënimi i premtuar,
-375-
- çfarë vlere do të kishte kënaqësia që kishin kaluar.[1]
- Ne kurrë nuk kemi shkatërruar asnjë qytet, pa i çuar më parë paralajmërues,[2]
- si këshillë për ata; dhe Ne nuk kemi qenë të padrejtë.[3]
- Nuk ishin djajtë ata që e zbritën këtë Kuran;[4]
- Nuk u takon kjo atyre, dhe as nuk kanë fuqi për këtë.[5]
- Ata janë të përjashtuar nga dëgjimi (i shpalljes).[6]
- Pra, mos lut kurrë me Allahun ndonjë zot tjetër, përndryshe do të jesh nga të ndëshkuarit.[7]
- Dhe paralajmëroje fisin tënd më të afërt.[8]
- Dhe ji i butë me ata që të ndjekin nga besimtarët.[9]
- E nëse të kundërshtojnë, thuaj: “Unë jam i pastër nga ajo që veproni ju.”[10]
- Dhe mbështetu tek i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.[11]
- Ai që të sheh kur ngrihesh natën (për adhurim),[12]
- dhe lëvizjet e tua midis atyre që bien në sexhde (në xhami).[13]
- Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.[14]
- A t’ju tregoj se mbi kë zbresin në të vërtetë djajtë?[15]
- Ata zbresin mbi çdo gënjeshtar mëkatar.[16]
- Ata (djajtë) përcjellin atë që përgjojnë (nga engjëjt), por shumica e tyre janë gënjeshtarë.[17]
- Sa për poetët, ata ndiqen nga të devijuarit.[18]
- A nuk e sheh se ata (poetwt) enden në çdo luginë?[19]
- Dhe thonë atë që nuk e bëjnë.[20]
- Me përjashtim të atyre (poetëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, përmendin shumë Allahun, dhe mbrohen pasi u është bërë padrejtësi. Dhe ata që bëjnë padrejtësi, së shpejti do ta dinë se çfarë fundi do të kenë.”[21]
[1] Ç’dobi do t’u sillte atyre kënaqësia e jetës së gjatë dhe rehatia e jetesës, nëse nuk do të ktheheshin nga idhujtaria e tyre? Dënimi i Allahut do t’i godasë, herët a vonë.
[2] Ne kurrë nuk kemi shkatërruar asnjë qytet nga qytetet e kombeve, veçse pasi u dërguam atyre të dërguar që t’i paralajmëronin.
[3] Si këshillë dhe kujtesë për shpëtimin e tyre. Ne nuk kemi qenë kurrë të padrejtë që ta ndëshkojmë një popull para se t’i dërgojmë një të dërguar.
[4] Kuranin nuk e kanë zbritur djajtë te Muhamedi, ashtu si pretendojnë jobesimtarët;
[5] Kjo gjë nuk u takon atyre, dhe as nuk kanë fuqi ta bëjnë këtë;
[6] Sepse djajtë janë të penguar nga dëgjimi i Kur’anit në qiell dhe goditen me yje flakërues.
[7] Prandaj mos adhuro me Allahun ndonjë gjë tjetër, që të mos të zbresë mbi ty ndëshkimi që zbriti mbi ata që adhuruan dikë tjetër përveç Allahut.
[8] Dhe paralajmëro – o i Dërguar – më të afërmit e tu, njëri pas tjetrit, nga populli yt, nga dënimi Ynë që mund të zbresë mbi ta.
[9] Dhe trego butësi në qëndrimin dhe fjalën tënde, me përulësi e mëshirë, ndaj atij që të shfaq përgjigje ndaj thirrjes sate.
[10] E nëse ata kundërshtojnë urdhrin tënd dhe nuk të ndjekin, atëherë distancohu prej veprave të tyre dhe nga ajo në të cilën ata janë prej shirkut dhe humbjes.
[11] Dhe lëre çështjen tënde në Dorë të Allahut, të Plotfuqishmit që askush nuk mund ta mposhtë dhe nuk mund ta pengojë, të Mëshirshmit që kurrë nuk i braktis miqtë e Tij.
[12] Ai është që të sheh kur ngrihesh për namaz natën i vetëm,
[13] dhe të sheh kur bashkohesh me besimtarët në xhami për t’u falur; në qëndrimin, rukunë, sexhden dhe uljen tënde.
[14] Me të vërtetë, Ai – i Lartësuari – është Dëgjues i leximit dhe përmendjes sate, i Dijshmi për qëllimin dhe veprën tënde.
[15] A t’ju tregoj, o njerëz, mbi kë zbresin në të vërtetë djajtë?
[16] Djajtë zbresin mbi çdo gënjeshtar shumë mëkatar prej magjistarëve dhe falltarëve.
[17] Djajtë u përcjellin falltarëve dhe magjistarëve diçka prej asaj që përgjojnë vjedhurazi nga engjëjt e lartë, por shumica e tyre janë gënjeshtarë dhe thonë gjëra që nuk i kanë dëgjuar vërtet; dhe shumica prej tyre mund të thotë një fjalë të vërtetë, por shton mbi të më shumë se njëqind gënjeshtra.
[18] Sa për poetët, poezia e tyre mbështetet mbi të kotën dhe gënjeshtrën, dhe i ndjekin ata të humburit e devijuar nga rruga e drejtë.
[19] A nuk e sheh – o Muhamed – se ata enden si të hutuar, duke u marrë me çdo lloj gënjeshtre e trillimi, me përgojim të njerëzve, me cenim të prejardhjes dhe me fyerje të grave të ndershme?
[20] Dhe ata (poetët) thonë atë që nuk e bëjnë, duke e tepruar në lavdërimin e pasuesve të së kotës dhe duke përçmuar ata që janë në të vërtetën?
[21] Allahu përjashtoi nga poetët ata poetë që u udhëzuan me anë të besimit dhe vepruan vepra të mira, dhe e përmendën shpesh Allahun, duke thënë poezi për Njësimin e Tij dhe për lavdërimin e Tij të Madhëruar, si dhe për mbrojtjen e të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ. Ata folën me urtësi, këshillë dhe me sjellje të mira, dhe u ngritën në mbrojtje të Islamit, duke satirizuar ata që e përqeshnin Islamin ose e përqeshnin të Dërguarin e tij, si kundërpërgjigje ndaj poetëve mohues. Dhe ata që i bënë padrejtësi vetes së tyre me shirk dhe mëkate, ose u bënë padrejtësi të tjerëve duke u mohuar të drejtat, duke i sulmuar, apo duke u ngritur akuza të rreme, së shpejti do ta dinë se në çfarë fundi të keq do të kthehen. Me të vërtetë, ai është një përfundim i mbrapshtë. Kërkojmë nga Allahu shpëtim dhe falje.