16. SURJA EN NAHL – BLETA

(Surja Nr. 16, Mekase, 128 vargje)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Urdhri i Allahut erdhi (është afër), prandaj mos kërkoni shpejtimin e tij! I Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij![1]
  2. Ai i zbret engjëjt me Shpirtin nga Urdhri i Tij tek ata që dëshiron prej robërve të Tij (duke u thënë): “Paralajmëroni se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Meje, prandaj më kini frikë Mua!”[2]
  3. Ai i krijoi qiejt dhe Tokën me të vërtetën. I lartësuar është Ai mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij![3]
  4. Ai e krijoi njeriun nga një pikë spermë, veç kur ai bëhet kundërshtar i hapët![4]
  5. Edhe bagëtitë Ai i krijoi; Ju siguroni ngrohtësi dhe dobi të tjera në to, dhe prej tyre ju hani.[5]
  6. Në to (bagëtitë) ju shikoni gjithashtu pamje të bukura, kur i ktheni nga kullota dhe kur i nxirrni në kullotë.[6]

[1] Urdhri dhe caktimi i Allahut për ndodhjen e Kiametit dhe dënimin tuaj është afruar shumë dhe thuajse ka ardhur, o mohues e idhujtarë, prandaj mos kërkoni shpejtimin e tij me tallje ndaj paralajmërimit që ju bën i Dërguari i Allahut. I Pastër dhe shumë i Lartë është Allahu i Madhëruar mbi çdo idhull e ortak që idhujtarët i shoqërojnë Atij.

[2] Allahu i zbret engjëjt – Xhibrilin – me Shpirtin që i jep jetë të vërtetës dhe zhduk të pavërtetën – që është Shpallja e Tij – nga Urdhri dhe dëshira e Tij, tek ata që Ai dëshiron prej robërve të Tij të zgjedhur nga Ai për të qenë lajmëtarë të Tij tek njerëzit, duke u thënë atyre (lajmëtarëve): “I paralajmëroni njerëzit nga idhujtaria dhe i tregoni atyre se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Meje, prandaj të më kenë frikën vetëm Mua dhe t’i ruhen zemërimit dhe dënimit Tim duke më adhuruar vetëm Mua me sinqeritet dhe duke iu bindur urdhrave dhe ndalesave të Mia.”

[3] Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me të vërtetën dhe për të vërtetën; i krijoi me urtësinë absolute dhe me ekzaktësinë absolute, për të dëshmuar madhështinë e Krijuesit të tyre, i Cili është i Vetmi që meriton të adhurohet; i Lartësuar dhe i Madhëruar është Allahu nga gjithçka i shoqërojnë idhujtarët.

[4] Allahu e krijoi njeriun nga një pikë uji e përbuzur, nga sperma, e megjithatë, kur ai rritet e forcohet, bëhet kundërshtar i hapët dhe mohues i Zotit të Tij dhe i ringjalljes e dhënies llogari para Tij, duke thënë se “Kush mund t’i ringjallë eshtrat pasi të jenë bërë pluhur?” – duke harruar origjinën e tij.

[5] Allahu i ka krijuar bagëtitë – delet, lopët, devetë, dhitë – për ju, o njerëz, dhe ju siguroni prej tyre veshje të ngrohta – nga leshi dhe lëkura e tyre – dhe përfitime të tjera si qumështi apo mbartja mbi to, dhe nga mishi i tyre ju hani e ushqeheni; a nuk duhet të jeni mirënjohës të Zotit tuaj për këto mirësi që ju ka dhuruar dhe për këto bagëti që i ka nënshtruar për ju?

[6] Në bagëtitë që ka krijuar Allahu, ju shikoni gjithashtu pamje të bukura e të mahnitshme që të fusin gëzim e kënaqësi, qoftë kur i ktheni ato nga kullota në mbrëmje, apo kur i nxirrni në kullota në mëngjes.

-267-


  1. Ato (bagëtitë) mbajnë barrët tuaja të rënda deri në vende të largëta, ku nuk do të arrinit veçse me mundim të madh. Me të vërtetë, Zoti juaj është i Butë, Mëshirëplotë.[1]
  2. Po ashtu, Ai krijoi edhe kuajt, mushkat dhe gomerët, që ju të hipni mbi to dhe si zbukurim për ju; dhe Ai krijon gjëra të tjera që ju ende nuk i dini.[2]
  3. Allahut i takon sqarimi i rrugës së drejtë, ndërsa prej tyre (rrugëve) ka që janë të shtrembra; e sikur të donte Allahu, do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve.[3]
  4. Është Ai që zbret nga qielli shi, nga i cili ju keni ujë për të pirë dhe prej të cilit rriten bimët ku ju kullosni bagëtitë tuaja.[4]
  5. Nëpërmjet tij (shiut), Ai bën që të rriten për ju drithërat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe nga të gjitha llojet e frutave. Me të vërtetë, këtu ka provë për njerëzit që arsyetojnë.[5]
  6. Ai ka nënshtruar për ju natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Me të vërtetë, në këto ka prova për njerëzit që mendojnë.[6]
  7. Dhe ka nënshtruar për ju gjithçka që ka krijuar në Tokë me ngjyra të ndryshme. Me të vërtetë, në këtë ka provë për njerëzit që kujtojnë.[7]
  8. Dhe është Ai që për ju ka nënshtruar detin, që të hani prej tij mish të freskët, të nxirrni prej tij stoli për t’i veshur – i sheh anijet se si e çajnë atë (detin) – dhe që të kërkoni nga mirësitë e Tij; dhe në mënyrë që të falënderoni.[8]

[1] Bagëtitë që ka krijuar Allahu, mbartin gjithashtu barrët tuaja të rënda deri në vende të largëta, ku ju nuk do të mund të arrinit veçse me lodhje e mundim të madh. Me të vërtetë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë ndaj jush që ju ka nënshtruar bagëtitë dhe gjithçka ju nevojitet për të jetuar sa më mirë në këtë botë, prandaj falënderojeni dhe madhërojeni Atë për mirësitë që ju ka dhënë!

[2] Allahu ka krijuar gjithashtu për ju, o njerëz, kuajt, mushkat dhe gomerët, që ju të hipni mbi to dhe t’i mbani për zbukurim e stoli me të cilat ju dukeni të pashëm dhe fisnikë; dhe Allahu krijon për ju mjete transporti e të tjera gjëra që ju ende nuk i dini e nuk i njihni – në kohën e zbritjes së Kuranit, por që do i dinë e do i njohin brezat e ardhshëm -, me qëllim që t’ju shtohet besimi te Zoti juaj dhe të shtoni falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij.

[3] Vetëm Allahut i takon sqarimi i rrugës së drejtë të Islamit, që ju, o njerëz, duhet të ndiqni për të qenë të udhëzuar drejtë, ndërkohë që të gjitha rrugët e tjera janë të shtrembëra e të devijuara – e ato janë të gjitha rrugët që kundërshtojnë Islamin, prej feve e besimeve të ndryshme -; e sikur të donte Allahu udhëzimin tuaj, do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve në rrugën e drejtë dhe besimin e vërtetë, por Allahu bën çfarë të dojë me urtësinë dhe drejtësinë e Tij Absolute.

[4] Është Allahu Ai që ju zbret nga qielli shi, nga i cili ju siguroni ujë për të pirë dhe nga i cili mbijnë dhe rriten bimët dhe bari ku ju kullosni bagëtitë tuaja; pra Allahu zbret posaçërisht për ju shi nga qielli, me të gjitha të mirat për ju, o njerëz, prandaj falënderojeni dhe madhërojeni Zotin tuaj!

[5] Me anë të të njëjtit ujë shiu, Allahu bën që të mbijnë për ju, o njerëz, lloje të ndryshme të drithërave, ullinjtë, palmat, rrushi dhe të gjitha llojet e frutave. Vërtet, në këtë gjë ka provë të qartë dhe bindëse për njerëzit që arsyetojnë dhe marrin mësim nga provat e Allahut, dhe madhërojnë e falënderojnë Krijuesin e tyre.

[6] Nga mirësitë e Allahut mbi njerëzit është se Ai ka nënshtruar për ta natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; që lidhen direkt me jetesën e njerëzve në Tokë: me punën dhe pushimin, me llogaritjen e kohës, muajve e viteve; që të gjitha këto për të mirën e njerëzve dhe lehtësimin e jetesës së tyre në Tokë. Madje Allahu i ka nënshtruar njerëzve edhe yjet me urdhrin dhe caktimin e Tij, që njerëzit të orientohen me to në errësirat e natës kur janë në Tokë apo në det, të njohin stinët e frutave dhe kohët, të zbukurojnë qiellin për sytë e njerëzve, e shumë dobi të tjera. Me të vërtetë, në këto gjëra ka prova të mëdha dhe bindëse për njerëzit që mendojnë dhe i kuptojnë provat e Allahut dhe paralajmërimet e Tij.

[7] Allahu ka nënshtruar për ju, o njerëz, gjithçka që ka krijuar në tokë, prej kafshëve, bimëve e pemëve, xeherorëve, e çdo gjë tjetër me ngjyra e dobi të ndryshme për njerëzit. Padyshim se në këtë gjë ka provë të qartë e bindëse për njerëzit që kujtojnë e marrin mësim, dhe që e dinë se në nënshtrimin e këtyre gjërave të mëdha për njeriun ka prova dhe shenja të Madhështisë dhe Fuqisë se Allahut, dhe se vetëm Atij i takon adhurimi dhe falënderimi.

[8] Allahu është Ai që e ka nënshtruar edhe detin për ju, o njerëz, që ju të hani prej peshqëve që peshkoni në të, që të nxirrni prej tij stoli për t’i veshur e zbukuruar, si perlat e merxhanët – dhe ju i shihni anijet e mëdha se si e çajnë detin duke ju mbartur juve dhe mallrat tuaja – dhe e ka nënshtruar detin që ju të lundroni mbi të në kërkim të mirësive të Allahut nga fitimi i tregtisë që bëni duke udhëtuar mbi det; dhe e ka nënshtruar detin për ju në mënyrë që të jeni falënderues të Allahut për mirësitë e Tij ndaj jush, dhe të mos adhuroni askënd dhe asgjë tjetër përveç Tij.

-268-


  1. Ai ka vendosur në Tokë male të ngulura fortë, që ajo të mos dridhet me ju, dhe lumenj e rrugë që të mund të drejtoheni.[1]
  2. Ka vendosur (në Tokë) edhe shenja të tjera; dhe po ashtu me yjet njerëzit orientohen.[2]
  3. Atëherë, a është Ai që krijon si ai që nuk krijon?! A nuk kujtoni?[3]
  4. Nëse do të përpiqeshit t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëronit ato. Me të vërtetë, Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[4]
  5. Allahu di gjithçka që ju fshihni dhe gjithçka që shfaqni hapur.[5]
  6. Ndërsa ato (idhujt) që ata lusin në vend Allahut nuk krijojnë asgjë; përkundrazi, vetë ato janë të krijuara.[6]
  7. Ato (idhujt) janë të vdekura dhe aspak të gjalla; dhe sigurisht që nuk e dinë se kur do të ringjallen.[7]
  8. Zoti juaj është një Zot i vetëm. Por ata që nuk besojnë në botën tjetër, i kanë zemrat mohuese dhe janë mendjemëdhenj.[8]
  9. Padyshim, Allahu di gjithçka që ata fshehin dhe gjithçka që shfaqin hapur. Me të drejtë, Ai nuk i do mendjemëdhenjtë.[9]
  10. Kur atyre u thuhet: “Çfarë ka zbritur Zoti juaj?” Ata thonë: “Legjenda të të parëve!”[10]
  11. Që t’i mbajnë barrët e tyre plotësisht në Ditën e Kiametit, si dhe disa nga barrët e atyre që i çuan në humbje nga padia; sa e keqe është barra që ata do të bartin![11]
  12. Edhe ata që ishin para tyre (idhujtarëve të Mekës) thurën kurthe, por Allahu e goditi ndërtesën e tyre nga themelet, kështu që çatia e saj ra mbi ta dhe atyre u erdhi dënimi nga ku nuk e prisnin.[12]

[1] Allahu ka vendosur në Tokë male të ngulura fortë, me qëllim që Toka të mos lekundet e të mos dridhet nën këmbët e njerëzve; dhe ka vendosur në të lumenj për të qenë në shërbimin e njerëzve, si dhe rrugë që njerëzit të mund të arrijnë lehtësisht në vendet që synojnë për të plotësuar nevojat e tyre, dhe të mos humbin nëpër tokë apo shkretëtirë.

[2] Allahu ka vendosur edhe shenja të tjera Tokë, me qëllim që njerëzit të drejtohen gjatë ditës atje ku duan dhe të mos humbin rrugë, siç janë male apo pemë a shenja të caktuara; kurse gjatë natës ka bërë që ata të orientohen nëpërmjet yjeve.

[3] A është Allahu që ka krijuar gjithë këto që u përmendën më sipër dhe që ka krijuar gjithçka që ekziston nga asgjëja, si idhujt tuaj që nuk mund të krijojnë asgjë dhe që vetë janë të krijuara apo të sajuara nga vetë ju, por që megjithatë ju i adhuroni ato në vend apo përkrah Allahut? A nuk e kujtoni këtë gjë dhe a nuk e kujtoni madhështinë e Allahut, dhe kështu të adhuroni vetëm Atë dhe të mos i shoqëroni askënd dhe asgjë në adhurim.

[4] Edhe nëse do të përpiqeshit të numëronit mirësitë e Allahut ndaj jush, o njerëz, nuk do të mund t’i numëronit ato për shkak të numrit të pallogaritshëm dhe të shumëlllojshmërisë së tyre, dhe sigurisht që nuk do të mund të falënderonit për to. Me të vërtetë që Allahu është Falës i Madh ndaj jush dhe i Mëshirshëm me ju, sepse ju toleron në mosplotësimin e falënderimit për mirësitë e Tij nga ana juaj dhe nuk jua ndërpret ato mirësi megjithë neglizhimin tuaj, dhe as nuk jua shpejton dënimin, por ju fal pas pendimit dhe kërkimit të faljes tek Ai.

[5] Allahu, Zoti juaj, i di të gjitha veprat tuaja, o njerëz, si ato që i fshehni në vetet tuaja edhe ato që i shfaqni publikisht, dhe Atij nuk i shpëton asgjë, e ju nuk mund t’i fshiheni Atij; që të gjitha regjistrohen dhe ju do të shpërbleheni në botën tjetër në varësi të veprave që keni bërë në këtë botë.

[6] Idhujt që idhujtarët lusin e adhurojnë në vend të Allahut nuk mund të krijojnë asgjë, sado e vogël që të jetë, madje vetë ato idhuj janë të krijuara dhe të gdhendura nga duart e vetë atyre që i adhurojnë ato, kështu që si i marrin për zota që i adhurojnë në vend të Zotit të Vërtetë?!

[7] Idhujt që idhujtarët adhurojnë janë gjëra të ngurta, të vdekura, pa shpirt dhe pa asnjë lloj jete; dhe sigurisht që ato nuk e dinë dhe nuk mund ta ndiejnë se kur do të ringjallen adhuruesit e tyre dhe vetë ato, për t’u hedhur të gjithë së bashku në zjarrin e Xhehenemit.

[8] Zoti juaj që meriton të adhurohet, o njerëz, është Allahu, Një Zot i Vetëm dhe i Pashoq; por ata që nuk e besojnë ringjalljen dhe botën tjetër, i kanë zemrat mohuese të Njësimit të Allahut, sepse nuk i frikësohen dënimit të Tij, dhe janë mendjemëdhenj ndaj pranimit të së vërtetës dhe ndaj adhurimit vetëm të Allahut.

[9] Padyshim që Allahu e di çfarë fshehin mohuesit e idhujtarët prej mosbesimit, veprave e fjalëve kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij apo besimtarëve, dhe Allahu e di gjithçka që ata e deklarojnë dhe e shfaqin hapur, dhe do i dënojë për to. Me të vërtetë, Allahu nuk i do ata që janë mendjemëdhenj ndaj adhurimit të Tij dhe nënshtrimit para Tij, dhe sigurisht që do u japë atyre dënimin që meritojnë.

[10] Nëse do i pyesje idhujtarët se çfarë i ka zbritur Muhamedit nga Allahu, ata thonë: “I ka zbritur legjenda e përralla të të parëve, që nuk kanë asgjë të vërtetë!”

[11] Fjala që mohuesit dhe idhujtarët thonë se Allahu i ka zbritur Muhamedit legjenda të të parëve, do të bëjë që ata të mbartin barrët e tyre të gjynaheve në mënyrë të plotë në ditën e Kiametit, madje do të mbartin edhe një pjesë të barrës së atyre që ata i pengonin nga besimi dhe feja e vërtetë dhe i çonin në humbje me mashtrim e padije. Sa i keq është gjynahu që ata bëjnë dhe barra që ata do të mbartin!

[12] Edhe mohuesit e idhujtarët që kanë qenë para idhujtarëve të Mekës, thurën kurthe kundër të dërguarve të Allahut tek ata dhe kundër thirrjes së tyre, por Allahu ua goditi ndërtesën që në themel, kështu që çatia e saj ra mbi kokat e tyre dhe atyre u erdhi shkatërrimi dhe dënimi pikërisht aty ku ndjeheshin të sigurt dhe ku nuk e prisnin kurrë që t’iu vinte aty.

-269-


  1. Pastaj, në Ditën e Kiametit, Ai do t’i turpërojë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë “ortakët” e Mi, për të cilët kundërshtoheshit (me besimtarët)?” Ata që u është dhënë dituria do të thonë: “Me të vërtetë, sot, turpi dhe mjerimi do të bjerë mbi mohuesit;[1]
  2. ata, të cilëve engjëjt ua marrin shpirtin duke qenë të padrejtë ndaj vetvetes.” Ata do të shfaqin nënshtrim (duke thënë): “Ne nuk kemi bërë asgjë të keqe!” – “Përkundrazi, keni bërë! Me të vërtetë, Allahu e di mirë se çfarë keni punuar.[2]
  3. Prandaj hyni në portat e Xhehenemit, ku do të qëndroni përgjithmonë! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i mendjemëdhenjve![3]
  4. Ndërsa kur u thuhet atyre që i frikësohen Allahut: “Çfarë ka zbritur Zoti juaj?” – Ata thonë: “Gjithë të mirat!” Për ata që veprojnë mirë në këtë botë, do të ketë mirësi – por shtëpia e botës tjetër është më e mirë. Sa e shkëlqyeshme do të jetë shtëpia e atyre që i frikësohen Allahut –[4]
  5. – Kopshtet e Adnit, ku ata do të hyjnë dhe nën të cilët rrjedhin lumenj! Ata do të kenë atje çfarë të dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu të devotshmit,[5]
  6. të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat duke qenë të pastër, dhe u thonë: “Paqja qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet për atë që keni punuar!”[6]
  7. A mos presin ata që t’u vijnë engjëjt, apo t’u vijë urdhri i Zotit tënd?! Kështu bënë edhe ata që ishin para tyre. Nuk ishte Allahu Ai që u bëri padrejtësi atyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes.[7]
  8. Kështu që ata u goditën nga e keqja e veprave që bënë dhe i kaploi ajo me të cilën talleshin.[8]

[1] Pastaj, në Ditën e Kiametit, Allahu do i turpërojë mohuesit dhe idhujtarët me dënimin që do u japë atyre, dhe do u thotë atyre: “Ku janë “ortakët” e Mi, që ju i adhuronit në dynja, përse nuk vijnë t’ju ndihmojnë e t’ju shpëtojnë nga dënimi, përderisa ju kundërshtoheshit dhe luftonit me të dërguarit e Mi dhe me besimtarët për shkak të tyre?” Dijetarët e sinqertë do të thonë: “Me të vërtetë, turpi dhe dënimi në këtë ditë do të bjerë mbi mohuesit e Allahut dhe të dërguarve të Tij,

[2] Turpi dhe dënimi i Allahut do të bjerë mbi mohuesit, shpirtrat e të cilëve do i marrin engjëjt duke qenë në gjendje padrejtësie kundër vetvetes së tyre – d.m.th. duke qenë mohues të Allahut dhe duke bërë mëkate.” Atëherë, mohuesit do t’i nënshtrohen urdhrit të Allahut me marrjen e shpirtrave të tyre, sepse nuk mund të bëjnë ndryshe, por do të mohojnë idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, dhe do të thonë: “Ne nuk kemi bërë ndonjë të keqe apo mëkat!” Atëherë do iu thuhet: “Gënjeni! Ju keni bërë të keqe dhe mëkat! Allahu i di mirë të gjitha ato që keni bërë dhe do ju shpërblejë sot për to…

[3] Hyni në portat e Xhehenemit, o ju mohues mendjemëdhenj, dhe aty do të qëndroni përgjithmonë dhe nuk do të dilni kurrë! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i atyre që bëjnë mendjëmadhësi ndaj besimit në Allahun dhe ndaj adhurimit të Allahut, Një e të Pashoq!”

[4] Kur i thuhet besimtarëve që kanë frikë Allahun se çfarë i ka zbritur Allahu Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ata thonë: “Allahu i ka zbritur atij gjithë të mirat dhe udhëzimin në rrugën e drejtë.” Ata që veprojnë mirë në këtë botë, që veprojnë në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe ftojnë njerëzit në besimin e vërtetë dhe në vepra të mira, atyre Allahu do t’u japë të mira të mëdha, fitore e furnizim të mirë në këtë botë – kushdo që bën mirë, do të gjejë mirë në këtë botë – por sigurisht që shpërblimi që Allahu do t’u japë besimtarëve në botën tjetër është shumë më i madh dhe i përhershëm; sa e mrekullueshme që është shtëpia e besimtarëve që i frikësohen Allahut në botën tjetër, në Xhenet!

[5] Shtëpia e atyre që i frikësohen Allahut, në botën tjetër, do të jetë në kopshtet e Adnit, nën pemët dhe kështjellat e të cilit rrjedhin lumenj. Ata do të kenë atje gjithçka dëshirojnë dhe gjëra që nuk i ka parë syri e nuk i shkuar në mendje asnjë krijese në dynja. Kështu i shpërblem Allahu të devotshmit, ata besimtarë të cilët i frikësohen Atij dhe i ruhen ndalesave të Tij…

[6] Kështu i shpërblen Allahu të devotshmit, të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat në kohën e largimit të tyre nga kjo botë, duke qenë se ato shpirtra janë të pastra nga mosbesimi e idhujtaria, dhe engjëjt u thonë atyre: “Paqja qoftë mbi ju – si përshëndetje e posaçme për t’u treguar atyre siguri e shpëtim nga çdo e keqe! Hyni në xhenet si shpërblim për veprat që bëtë në dynja prej besimit në Allahun dhe bindjen ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit të Tij.”

[7] Idhujtarët nuk presin gjë tjetër, veçse t’u vijnë engjët për t’u marrë shpirtrat duke qenë në atë gjendjen e tyre të mohimit të Allahut dhe idhujtarisë, ose t’u vijë urdhri i Allahut me dënimin dhe shkatërrimin e atyre në mënyrë të posaçme, ose me Kiametin për të gjithë krijesat?! Kështu si e përgënjeshtrojnë idhujtarët e Mekës të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), po ashtu i kanë përgënjeshtruar edhe idhujtarët dhe mohuesit që kanë qenë para tyre të dërguarit e Allahut tek ata, kështu që Allahu i shkatërroi dhe i shfarosi ata. Pra, nuk ishte Allahu Ai që i bëri padrejtësi atyre me zbritjen e dënimit të Tij mbi ta, por ishin ata që e tërhoqën dënimin e Allahut mbi vetet e tyre dhe e merituan atë, duke mohuar Allahun dhe duke kundërshtuar urdhrin e Tij, gjë për të cilën ishin paralajmëruar nga të dërguarit e Allahut.

[8] Mohuesve dhe idhujtarëve u zbriti dënimi i veprave të tyre të këqia dhe i pushtoi dënimi me të cilin talleshin në kohën kur të dërguarit e Allahut i paralajmëronin ata me ardhjen e dënimit nëse vazhdojnë në mosbesimin, idhujtarinë dhe veprat e tyre të këqia.

-270-


  1. Ata që i shoqërojnë ortak Allahut thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të kishim adhuruar gjë tjetër përveç Tij, as ne, as të parët tanë dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë pa dëshirën e Tij.” Kështu vepruan edhe ata që ishin para tyre. A kanë detyrë tjetër të dërguarit, përveç kumtimit ë qartë?[1]
  2. Ne i kemi dërguar çdo populli të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i udhëzoi, kurse të tjerë merituan humbjen; pra, udhëtoni nëpër tokë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve![2]
  3. Nëse ti (o Muhamed) përpiqesh për udhëzimin e tyre, Allahu nuk i udhëzon atë që i lë në humbje, dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmës.[3]
  4. Ata (idhujtarët) betohen për Allahun me betimet më solemne, se Allahu nuk do ta ngjallë kurrë atë që vdes. Por, po (do t’i ringjallë) – ky është Premtim i Tij i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[4]
  5. (Do t’i ringjallë) Që t’ua bëjë të qartë atë, për të cilën nuk pajtohen dhe që ata të cilët mohuan ta dinë se ishin gënjeshtarë.[5]
  6. Me të vërtetë, kur Ne dëshirojmë të bëhet diçka, Fjala Jonë është vetëm të themi: “Bëhu!” dhe ajo bëhet menjëherë.[6]
  7. Ata që emigruan për hir të Allahut, pasi u ishte bërë padrejtësi – padyshim se Ne do t’i vendosim në vendbanime të mira në këtë botë; dhe sigurisht që shpërblimi i botës tjetër është shumë më i madh, veç sikur ta dinin![7]
  8. Janë ata që duruan dhe i mbështeten Zotit të tyre.[8]

[1] Idhujtarët thonë: “Sikur Allahu të kishte dashur që ne të adhuronim vetëm Atë, nuk do të kishim adhuruar asgjë tjetër përveç Tij, as ne, as të parët tanë, dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë prej kafshëve apo ushqimeve që Ai nuk i kishte bërë të ndaluara.” Kështu argumentoheshin mohuesit dhe idhujtarët e mëparshëm, me argumente të paqena e të pavërteta, ndërkohë që Allahu i kishte urdhëruar atyre gjëra dhe u kishte ndaluar të tjera, dhe ua kishte dhënë mundësinë që ata t’i zbatonin urdhrat e Allahut dhe t’i largoheshin ndalesave të Tij, madje u kishte sjellë prova të qarta dhe mrekulli në duart e të dërguarve të Tij tek ata, kështu që argumentimi i tyre duke thënë se kështu e kishte caktuar Allahu për ta, është argumentim i pabazë dhe i pavërtetë, sepse të dërguarit e Allahut u kishin sqaruar atyre gjithçka në mënyrën më të mirë dhe më të qartë. Dhe, detyra e të dërguarve të Allahut është që të përcjellin qartë mesazhin e Allahut, dhe jo sjellja e mrekullive apo udhëzimi i njerëzve.

[2] Allahu i ka dërguar të dërguar të gjithë popujve të mëparshëm pa përjashtim, me qëllim që t’i urdhërnin njerëzit të adhuronin vetëm Allahun dhe t’i bindeshin Atij, dhe të largoheshin nga adhurimi i çdo idhulli, djalli, të vdekuri apo çdo lloj gjëje apo krijese që adhurohet në vend të Allahut. Rezultati ishte se disa prej atyre njerëzve dhe popujve, Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe ata pasuan të dërguarit e Allahut, kurse të tjerë meritun humbjen për shkak të mendjemadhësisë dhe kryeneçësisë së tyre, kështu që Allahu nuk u dha sukses të udhëzoheshin; pra, udhëtoni nëpër tokë, i idhujtarë dhe ju o njerëz, për të parë me sytë tuaj se si ishte përfundimi i përgënjeshtruesve të Allahut dhe të Dërguarve të Tij, dhe se çfarë shkatërrimi u ka rënë atyre, në mënyrë që të merrni mësim.

[3] Edhe nëse ti, o Muhamed, përpiqesh fort me të gjitha mundësitë e tua që idhujtarët të udhëzohen në rrugën e drejtë të Allahut, dije se Allahu nuk i udhëzon ata që i ka lënë në humbje, dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmës që të mund të pengojë dënimin e Allahut mbi ta; kështu që mos u lodh me ta, por thjesht komunikoi atyre atë që të kam shpallur, që të mos kenë justifikim.

[4] Idhujtarët betohen në Allahun me betimet e tyre më të forta dhe më solemne, se Allahu nuk do i ringjallë të vdekurit pasi ata të jenë tretur e të jenë bërë pluhur. Por, Allahu do i ringjallë të gjithë ata pa përjashtim – ky është një Premtim i Allahut i vërtetë dhe i patjetërsueshëm, por shumica e njerëzve nuk e dinë dhe nuk e njohin fuqinë e Allahut për ringjalljen e të vdekurve, kështu që e mohojnë atë.

[5] Sigurisht që Allahu do i ngjallë të gjitha krijesat, që tju bëjë të qartë atyre të vërtetën e ringjalljes për të cilën ata nuk pajtoheshin në dynja, dhe që ta dinë mosbesimtarët mohues të ringjalljes se ata ishin gënjeshtarë kur betoheshin se Allahu nuk do t’i ringjallte kurrë të vdekurit.

[6] Kur Ne dëshirojmë diçka që të bëhet dhe të ekzistojë, mjafton t’i themi: “Bëhu!” dhe ajo bëhet në çast – kështu që ringjallja e njerëzve dhe e krijesave është shumë e lehtë për Allahun.

[7] Ata që emigruan dhe lanë vendin dhe shtëpitë e tyre për hir të Allahut dhe për të mbajtur e zbatuar fenë e Allahut, pasi u ishte padrejtësi nga mohuesit dhe idhujtarët e vendit të tyre – Allahu do i vendosë ata në vendbanim të mirë në këtë botë, megjithëse shpërblimi i Allahut për ta në botën tjetër do të jetë shumë më i madh; veç sikur ta dinin ata që nuk emigruan se çfarë shpërblimi ka përgatitur Allahu për ata që emigrojnë në rrugën e Tij, patjetër që do të kishin emigruar. Ajeti flet për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe për shokët e tij që emigruan bashkë me të nga Meka në Medine, por sigurisht që ai i përfshin të gjithë emigruesit për hir të Allahut në çdo vend e në çdo kohë.

[8] Emigruesit për hir të Allahut janë ata që duruan padrejtësitë dhe torturat e mohuesve e idhujtarëve, dhe që i mbështeten Allahut dhe ia besojnë Atij të gjitha çështjet e tyre, prandaj edhe e meritojnë këtë shpërblim dhe këtë gradë të lartë nga Zoti i tyre.

-271-


  1. Ne nuk kemi dërguar para teje (o Muhamed) veçse burra, të cilëve u kemi shpallur (shpalljet Tona); pyetni ata që kanë dije nga Shkrimet e Shenjta, nëse nuk e dini.[1]
  2. (I dërguam ata) me prova të qarta dhe Libra të shkruara. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtuesin (Kuranin), në mënyrë që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre dhe që ata të mendojnë.[2]
  3. A ndjehen të sigurt ata që kurdisin komplote të këqija se Allahu nuk do t’i fundosë ata në tokë, apo që nuk do t’u vijë dënimi andej nga nuk e presin?[3]
  4. Apo se dënimi nuk do t’i godasë ata gjatë lëvizjeve të tyre, pa qenë në gjendje t’i shpëtojnë atij?[4]
  5. Apo se nuk do t’i godasë dënimi pak nga pak? Por, Zoti juaj është vërtet i Butë, Mëshirëplotë.[5]
  6. A nuk e vërejnë ata se si hijet e gjithçkaje që Allahu ka krijuar anojnë djathtas e majtas, duke i bërë sexhde Allahut me gjithë përulësi?[6]
  7. Vetëm Allahut i përulet në sexhde gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë prej gjallesave, si edhe engjëjt, të cilët nuk bëjnë mendjemadhësi.[7]
  8. Ata (engjëjt) i frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe bëjnë gjithçka që urdhërohen.[8]
  9. Allahu ka thënë: “Mos adhuroni dy zota, sepse i Adhuruari i Vërtetë është vetëm Një, prandaj vetëm nga Unë të keni frikë!”[9]
  10. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe Tokë, dhe vetëm Atij i përket adhurimi gjithnjë. Atëherë, a i frikësoheni tjetërkujt, përveç Allahut?[10]
  11. Çdo mirësi që keni, është nga Allahu. Pastaj, nëse ju godet fatkeqësia, vetëm Atë thirrni për ndihmë.[11]
  12. Pastaj, kur Ai jua largon fatkeqësinë, një grup prej jush i bëjnë shok Zotit të tyre (në adhurim);[12]

[1] Ne nuk kemi dërguar të dërguar para teje, o Muhamed, veçse burra nga njerëzit, ashtu si edhe ti, dhe nuk i kemi dërguar nga engjëjt, por vetëm burra nga njerëzit, të cilëve u kemi shpallur shpalljet Tona. Nëse ju, o idhujtarët e Mekes, nuk e dini dhe nuk e besoni këtë gjë, atëherë pyetni ata që kanë dije nga shkrimet e shenjta të mëparshme, prej hebrenjve dhe të krishterëve, që t’ju tregojnë se të gjithë të dërguarit e Allahut kanë qenë burra nga njerëzit, dhe nuk kanë qenë engjëj.

[2] Ne i dërguam të dërguarit e mëparshëm me prova të qarta dhe Libra Qiellor, ndërsa ty, o Muhamed, të shpallëm Kuranin, në mënyrë që t’u sqarosh njerëzve ato që nuk i kuptojnë dhe nuk i dinë prej kuptimeve dhe ligjeve të tij, dhe në mënyrë që ata të mendojnë rreth tij dhe të udhëzohen me të në rrugën e drejtë të Allahut.

[3] A ndjehen të sigurtë mohuesit dhe idhujtarët që kurdisin komplote të këqija kundër të Dërguarit të Allahut (kur donin ta vrisnin ose ta dëbonin nga Meka, pak para se të emigronte në Medine) dhe besimtarëve, se Allahu nuk do i fundosë ata në tokë ashtu si bëri me Karunin, apo se nuk do t’u vijë dënimi andej nga nuk e ndiejnë dhe nuk e presin?

[4] A ndjehen të sigurtë mohuesit që kurdisin komplote të këqija se nuk do i godasë dënimi gjatë udhëtimeve të tyre për tregti e punë të tyre të përditshme, pa qenë në gjendje t’i shpëtojnë Allahut dhe dënimit të Tij?

[5] Apo ndjehen të sigurtë se Allahu nuk do ua zbresë dënimin në mënyrë graduale, duke ua pakësuar pasurinë dhe duke i marrë njerëzit e tyre njëri pas tjetrit, apo duke qenë të frikësuar nga humbja e pasurisë dhe e të afërmve? Por, Zoti juaj është vërtet i Butë me krijesat e Tij, Mëshirëplotë ndaj tyre, kështu që nuk e shpejton zbritjen e dënimit të Tij, por i afatizon njerëzit dhe i frikëson ata duke ua pakësuar pasurinë dhe duke u marrë jetët pak nga pak, në mënyrë që të marrin mësim dhe të kthehen tek Ai me pendim të sinqertë.

[6] Mos janë verbuar mohuesit e idhujtarët dhe nuk e shohin se të gjitha gjërat që ka krijuar Allahu kanë hije, dhe hijet e tyre anojnë nga e djathta dhe nga e majta, sipas lëvizjes së Diellit gjatë ditës dhe Hënës gjatë natës, dhe se që të gjitha këto hije i bëjnë sexhde Zotit të tyre, duke qenë të përulura dhe të nënshtruara para Tij?

[7] Vetëm Allahut i përulen në sexhde të gjitha gjallesat që gjenden në qiej e në Tokë, si edhe engjëjt, të cilët janë krijesa të veçanta të Allahut dhe ata kurrë nuk bëjnë mendjemadhësi ndaj Allahut dhe ndaj adhurimit të Tij.

[8] Engjëjt nuk bëjnë kurrë mendjemadhësi ndaj adhurimit të Zotit të tyre, por i frikësohen Atij, i Cili është mbi ta, dhe zbatojnë gjithçka që Ai i urdhëron. Ajeti është argument për pohimin e cilësisë së të qënit të Allahut lart dhe mbi të gjitha krijesat e Tij, ashtu si i takon Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij.

[9] Allahu i ka thënë robërve të Tij: “Mos adhuroni dy zota, o njerëz, dhe mos më bëni Mua shok në adhurim, sepse i Adhuruari i Vërtetë është vetëm Një, e Ai jam Unë, Allahu, Zoti juaj, prandaj vetëm Mua të më kini frikën dhe t’i ruheni dënimit Tim, duke mos adhuruar të tjerë përveç Meje dhe duke mos i thyer urdhrat dhe ligjet e Mia.

[10] Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë; gjithçka është krijimi i Tij, nën sundimin e Tij dhe të nënshtruar Atij; dhe vetëm Atij i përket adhurimi, bindja dhe sinqeriteti vazhdimisht dhe në çdo kohë. Atëherë, a shkon që ju, o njerëz, të frikësoheni nga tjetërkush përveç Allahut duke pasur frikë se mos ju merr mirësitë që ju ka dhuruar Allahu, dhe ta adhuroni atë vend të Allahut?!

[11] Çdo mirësi që keni ju, o njerëz – besim e udhëzim, shëndet, pasuri e fëmijë – të gjitha janë nga Allahu dhe vetëm Ai jua ka dhuruar ato. Dhe, nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, ju vetëm Allahun thirrni me zë të lartë dhe vetëm Atij i luteni që t’jua largojë fatkeqësinë që ju ka rënë, dhe nuk thirrni e nuk i luteni askujt tjetër prej idhujve tuaj që t’jua ngrejë atë fatkeqësi, sepse e dini që ata nuk munden ta bëjnë këtë, ashtu si edhe nuk munden që tju dhurojnë mirësi; atëherë si i bëni shok Allahut në adhurim?!

[12] Pasi Allahu jua largon fatkeqësinë, një grup nga ju, i bëjnë shok në adhurim Zotit të tyre, të Vetmit që i shpëton dhe që i ka dhënë mirësi të panumërta;

-272-


  1. Duke mohuar kështu ato (mirësi) që Ne u kemi dhënë. Epo, kënaquni, sepse së shpejti do ta dini![1]
  2. Ata ndajnë, për ata (idhujt) që nuk dinë asgjë, një pjesë të asaj që ne i furnizojmë. Pasha Allahun! Ju do të pyeteni për gjithçka që keni trilluar.[2]
  3. Dhe i atribuojne Allahut vajzat – i lartësuar është Ai –, ndërsa vetes atë që dëshirojnë (djemtë).[3]
  4. Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi vajzë, fytyra e tij nxihet dhe ai mbushet me zemërim.[4]
  5. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që ka marrë. A ta mbajë atë me poshtërim, apo ta groposë në dhe. Sa e keqe është ajo që gjykojnë![5]
  6. Atyre që nuk besojnë botën tjetër, u përket shembulli më i keq, kurse Allahut i përket shembulli më i lartë; Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.[6]
  7. Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të padrejtësive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë mbi Tokë, por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur vjen afati i tyre, ata nuk mund ta shtyjnë atë për asnjë çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.[7]
  8. Ata i atribuojnë Allahut atë që për veten e tyre e urrejnë, dhe gjuhët e tyre flasin gënjeshtrën: se ata do të kenë shpërblimin më të mirë. Nuk ka dyshim se ata do të kenë Zjarrin, dhe ata do të jenë të braktisur.[8]
  9. Pasha Allahun! Para teje (o Muhamed), Ne kemi dërguar të dërguar edhe te popuj të tjerë, por djalli ua hijeshoi veprat e tyre (të këqija) dhe sot (në dynja) ai është miku i tyre; ata do të kenë dënim të dhembshëm.[9]
  10. Ne nuk ta kemi zbritur ty Librin për tjetër, veçse që t’u sqarosh atyre atë për të cilën kundërshtohen, dhe që të jetë udhëzues e mëshirë për njerëzit që besojnë.[10]

[1] Adhurojnë të tjerë përveç Allahut, duke mohuar kështu mirësitë që u ka dhënë Allahu dhe vetë largimin e fatkqesësisë që Ai bëri për ta kur iu lutën Atij. Kështu që, kënaquni për pak kohë me jetën tuaj në këtë botë kalimtare, sepse shumë shpejt do e mësoni përfundimin e mohimit dhe kundërshtimit tuaj!

[2] Idhujtarët ndajnë për idhujt e tyre që nuk dinë e nuk kuptojnë asgjë, dhe që nuk mund t’u sjellin atyre as dëm as dobi, ndajnë për ta një pjesë të furnizmit dhe pasurisë që u ka dhënë Allahu, me qëllimin për t’u afruar tek ato idhuj. Pasha Allahun! Ju do të pyeteni në ditën e Gjykimit për gjithçka që keni trilluar ndaj Allahut në jetën tuaj të kësaj bote, dhe do të merrni dënimin që meritoni.

[3] Mohuesit dhe idhujtarët i atribuojnë Allahut vajzat, duke thënë se engjëjt janë vajzat e Allahut – i Lartësuar dhe i Pastër është Allahu nga fjalët e tyre dhe nga çdo e metë -, kurse vetes së tyre i atribuojnë atë që dëshirojnë prej djemve, kurse vajzat i urrejnë e i varrosin të gjalla madje, që sa lindin.

[4] Kur këtyre mohuesve dhe idhujtarëve që i atribuojnë Allahut vajzat, iu vjen lajmi se gruaja e tyre ka lindur vajzë, iu nxihet fytyra dhe mbushen me zemërim e hidhërim; atëherë si i veshin Allahut vajzat, ndërkohë që Ai është i Lartësuar dhe i Pastër nga të pasurit fëmijë, qofshin vajza apo djem, por ata janë arrogantë, mohues dhe në humbje të largët.

[5] Fshihet nga njerëzit që të mos e shohin të mërzitur dhe me përçmim për shkak të turpit që i lindi vajzë, dhe është në mëdyshje në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë me këtë fëmijë të posalindur: A ta lërë të jetojë dhe ta mbajë pavarësisht turpit dhe poshtërimit që do i sjellë, apo ta groposë të gjallë në dhe? Sa i keq që është gjykimi i tyre kur i atribuan vajzat Allahut, kurse djemtë vetes së tyre, dhe kur ndanë për idhujt e tyre nga furnizimi dhe pasuria që u dha Allahu, dhe kur adhuruan të tjerë përveç Allahut!

[6] Atyre që nuk besojnë botën tjetër, llogarinë dhe xhenetin e xhehenemin, u përket shembulli më i keq dhe më i shëmtuar në mesin e njerëzve – merren shembull për keq, siç është groposja e vajzave të gjalla – dhe ata kanë cilësitë më të këqija dhe më të ulëta, si pamundësia, dobësia, nevoja, injoranca dhe mohimi; kurse Allahut i përket shembulli më i Lartë që mund të merret, dhe cilësitë e atributet më të Larta dhe Absolute; dhe Ai është i Plotfuqishmi në pushtetin dhe zotërimin e Tij, i Urti në drejtimin dhe mbajtjen e gjithçkaje që ka krijuar.

[7] Sikur Allahu t’i dënonte mëkatarët për padrejtësitë dhe mëkatet e tyre, nuk do të kishte lënë mbi Tokë këmbë njeriu, por Ai i shtyn ata deri në afatin e caktuar të vdekjes së secilit prej tyre, i cili kur të vijë, askush nuk mund ta shtyjë apo ta shpejtojë atë qoftë edhe për një çast të vetëm.

[8] Idhujtarët i atribuojnë Allahut diçka që për veten e tyre e urrejnë, dhe megjithatë pretendojnë dhe thonë gënjeshtrën se ata do të kenë shpërblimin më të mirë tek Allahu, Xhenetin. Por nuk ka dyshim se ata i pret zjarri i Xhehenemit, ku do të lihen në harresë të braktisur përgjithmonë.

[9] Allahu i betohet të dërguarit të Tij në Veten e Vet, e Allahu betohet në çfarë të dojë; se para Muhamedit, Ai ka dërguar të dërguar edhe në popuj të tjerë, ashtu si dërgoi Muhamedin te populli i tij, për t’i ftuar njerëzit në adhurimin e Allahut të Vetëm e të Pashoq, dhe për t’u larguar nga adhurimi i idhujve, por shejtani ua zbukuroi atyre mohimin, idhujtarinë dhe veprat e këqija, kështu që ata i përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut dhe zgjodhën shejtanin për zotëri dhe mik të tyre në këtë botë; por ai nuk do të mund t’i shpëtojë ata në botën tjetër dhe atje ata do të kenë dënim të dhembshëm e të përhershëm në Zjarrin e Xhehenemit, bashkë me shejtanin, mikun e tyre.

[10] Ne nuk ta kemi zbritur Kuranin ty, o Muhamed, veçse që me anë të tij t’u sqarosh njerëzve çështjet për të cilat kanë kundërshtim mes njëri-tjetrit prej besimit dhe ligjeve, dhe kështu t’u ngrihet argumenti; dhe me qëllim që të jetë udhëzues dhe mëshirë për njerëzit që e besojnë atë, dhe që e pohojnë se ai është nga Allahu dhe se përmban urdhrat dhe ndalesat e Allahut, dhe i zbatojnë ato.

-273-


  1. Allahu zbret nga qielli ujë, me të cilin ngjall tokën pas vdekjes së saj! Me të vërtetë, këtu ka provë për njerëzit që dëgjojnë.[1]
  2. Për ju ka mësim edhe te bagëtitë. Ne ju japim të pini nga ajo që kanë në barkun e tyre – mes sekrecionit dhe gjakut – qumësht të pastër, të shijshëm për ata që e pijnë.[2]
  3. Edhe nga frutat e palmave dhe të hardhive, ju merrni pije dhe ushqim të mirë. Me të vërtetë, këtu ka provë për njerëzit që kuptojnë.[3]
  4. Zoti yt (O Muhamed) e frymëzoi bletën: “Ndërto shtëpi në male, në pemë dhe në ato që ata (njerëzit) ndërtojnë![4]
  5. Pastaj ushqehu nga të gjitha llojet e frutave dhe ndiq rrugët e Zotit tënd të nënshtruara për ty!” Nga barku i tyre del lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim për njerëzit. Me të vërtetë, këtu ka provë për njerëzit që arsyetojnë.[5]
  6. Allahu ju ka krijuar, pastaj ju bën të vdisni. Disa prej jush kthehen në fazën më të dobët të jetës, që të mos dinë më asgjë nga ajo që kanë ditur. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm.[6]
  7. Allahu i ka favorizuar disa prej jush mbi të tjerët në furnizim. Por, ata që janë favorizuar, nuk do e ndanin furnizimin e tyre me ata që kanë nën pronësi (skllevërit), e kështu të ishin të barabartë në të. Atëherë, a nuk po mohojnë ata mirësinë e Allahut?[7]
  8. Allahu ka krijuar për ju gra nga vetë ju, e nga gratë tuaja ju jep fëmijë e nipër dhe ju furnizon nga të gjitha të mirat. Atëherë, a besojnë të kotën, kurse mirësinë e Allahut e mohojnë?[8]

[1] Allahu zbret nga retë shi, me të cilin ngjall Tokën duke bërë të mbijnë bimët pas vdekjes së saj nga thatësira dhe vdekja e bimëve të saj. Me të vërtetë, në zbritjen e shiut nga retë dhe në mbirjen e bimëve të Tokës, ka provë për Fuqinë e Allahut për ringjalljen e krijesave dhe se Ai ëshë Një e i Pashoq; por ajo provë është për njerëzit që dëgjojnë Fjalët e Allahut, mendojnë rreth tyre, i binden Allahut dhe i ruhen ndëhkimit të Tij.

[2] Për ju, o njerëz, ka mësim edhe te bagëtitë: delet, lopët e devetë. Ju e shihni se Ne ju japim të pini nga qumështi i tyre, i cili megjithëse del nga vendi mes sekrecionit të barkut dhe gjakut, nuk përziehet me to, por del i bardhë, i pastër dhe i kulluar nga çdo papastërti; shumë i shijshëm dhe që nuk e mbyt kurrë atë që e pi. Thuhet se askush nuk është mbytur kurrë nga qumështi, kurse nga uji janë mbytur.

[3] Për ju, o njerëz, ka mësim edhe në frutat e palmave dhe të hardhive, nga të cilat ju merrni pije e lëngje hallall dhe ushqim të mirë e të begatë, të cilat janë furnizim nga Ne. Këtu ka provë të qartë për ata njerëz që mendojnë dhe i kuptojnë provat e Allahut dhe këshillat e Tij, dhe marrin mësim prej tyre. – Në pijet dhe lëngjet që përfitohen nga hurmat arabe dhe rrushi, përfshihet edhe alkooli, por ky është përjashtuar me ndalimin definitiv të alkoolit [El Maide, 90-91], kurse të gjitha pijet dhe lëngjet e tjera që nuk të dehin janë hallall dhe furnizim nga Allahu, i Cili i ka mësuar njerëzve se si t’i përfitojnë e prodhojnë pijet nga frutat. Kurse ushqimi i mirë e i begatë është vetë fruti i palmës dhe i hardhisë, pra hurma arabe dhe rrushi i njomë e i thatë.

[4] Zoti yt, o Muhamed, i frymëzoi bletës: “Ndërtoje shtëpitë tënde në male, në pemë dhe në kulmet e shtëpive të njerëzve, apo në kosheret që njerëzit i ndërtojnë për ty…”

[5] “…Pastaj ushqehu nga të gjitha llojet e frutave që të pëlqejnë dhe ndiq rrugët e Zotit tënd që i ka nënshtruar për ty, sepse nuk do të humbësh asnjëherë, sado e vështirë apo e gjatë të jetë rruga e kthimit!” Nga barku i bletëve del mjalt me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim për njerëzit nga sëmundje të ndryshme. Me të vërtetë, te bleta dhe mjalti i saj ka provë të qartë e të fortë për njerëzit që arsyetojnë dhe marrin mësim.

[6] Allahu është Ai që ju ka krijuar, pastaj Ai jua merr shpirtin dhe ju bën të vdisni kur të mbarojë afati i jetës suaj në këtë botë. Disa prej jush, Allahu i bën të jetojnë aq gjatë, sa të arrijnë fazën më të dobët dhe më të përçmuar të jetës për shkak të pleqërisë, kur nuk dinë më asgjë nga ajo që kanë ditur, duke u kthyer ashtu si ishin në fëmijërinë e tyre. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe dija e Tij ka përfshirë gjithçka; dhe Ai është i Plotëfuqishëm, dhe fuqia e Tij përfshin gjithçka; Allahu që e kthen njeriun në këtë gjendje të pleqërisë si ajo e fëmijërisë, padyshim se ka fuqi që ta vdesë dhe pastaj ta ringjallë atë përsëri.

[7] Allahu i ka favorizuar disa prej jush mbi të tjerët në furnizimin dhe pasurinë që ju ka dhënë në këtë botë; disa janë të pasur e disa të varfër, disa janë zotërinj e disa skllevër. Por zotërinjtë nuk e ndajnë pasurinë që u ka dhënë Allahu me skllevërit e tyre, dhe kështu të ishin të barabartë dhe ortak në atë pasuri; pra, ata nuk e pëlqejnë dhe nuk e pranojnë që të bëjnë ortak skllevërit e tyre, atëherë si e pëlqejnë dhe e pranojnë që t’i bëjnë Allahut ortak dikë nga robërit dhe krijesat e Tij?! Padyshim se kjo është padrejtësia dhe mohimi më i madh që i bëjnë mirësive që u ka dhënë Allahu.

[8] Allahu ka krijuar për ju gra nga vetë lloj juaj – e krijoi Havanë nga brinja e Ademit dhe mbarë njerëzimin nga lëngu i burrit dhe i gruas – dhe nga gratë tuaja ju jep fëmijë e nga fëmijët ju jep nipër e mbesa; si dhe ju furnizon me të gjitha të mirat hallall prej ushqimeve, frutave, mishit, etj. Përderisa është Allahu Ai që ju ka krijuar dhe që ju ka dhënë të gjitha të mirat, atëherë si besoni të kotën prej idhujve e zotave që ia shoqëroni Allahut, ndërsa mirësitë dhe dhuntitë e pafundme që Allahu ju ka dhënë, ju i mohoni duke mos e falënderuar dhe adhuruar vetëm Atë?!

-274-


  1. Ata adhurojnë në vend të Allahut gjëra që nuk zotërojnë asnjë lloj furnizimi për ta, as nga qielli as nga toka, dhe as nuk munden të bëjnë asgjë?![1]
  2. Pra, mos krahasoni asgjë me Allahun! Me të vërtetë, Allahu di, ndërsa ju nuk dini.[2]
  3. Allahu sjell shembull një skllav, i cili është pronë (e zotëriut të tij) dhe nuk ka mundësi për asgjë, dhe dikë që Ne i kemi dhënë furnizim të mirë, nga i cili ai jep (lëmoshë) fshehtazi dhe haptazi; A janë të barabartë? Falënderimi i përket vetëm Allahut! Por, shumica e tyre nuk e dinë.[3]
  4. Allahu sjell gjithashtu shembull dy burra, njëri prej të cilëve është memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e kujdestarit të vet – kudo që ta dërgojë, nuk sjell ndonjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për drejtësi dhe që është në rrugë të drejtë?![4]
  5. Vetëm Allahut i takon njohja e fshehtësive të qiejve dhe Tokës. Çështja e Orës (Kiametit) është vetëm sa hap e mbyll sytë, apo edhe më shpejt. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për gjithçka![5]
  6. Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja, ndërsa ju nuk dinit asgjë, dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, në mënyrë që të falënderoni.[6]
  7. A nuk i shohin ata shpendët, se si fluturojnë të mësuar në ajrin e qiellit? Askush nuk i mban ato përveç Allahut. Me të vërtetë, këtu ka prova për njerëzit që besojnë.[7]

[1] Idhujtarët adhurojnë në vend të Allahut idhuj që nuk zotërojnë asnjë lloj furnizimi për ta, as nga qielli, siç është shiu, as nga Toka, siç janë të mbjellat, dhe as nuk munden të bëjnë asgjë sepse nuk kanë asnjë lloj fuqie apo mundësie, por gjithçka është krijim i Allahut dhe nën zotërimin e Tij, edhe vetë ato idhuj që idhujtarët i adhurojnë.

[2] Kur e dini se idhujt nuk kanë fuqi tju sjellin asnjë dobi dhe nuk mund tju bëjnë asnjë të keqe, atëherë mos krahasoni kurrë asgjë me Allahun, o njerëz, dhe mos i bëni shok Atij asgjë prej krijesave të Tij duke i adhuruar në vend të Tij! Vërtet, Allahu e di çfarë veproni ju, kurse ju nuk e dini gabimin që bëni dhe dënimin që ju prej për shkak të tij.

[3] Allahu sjell një shembull me të cilin rrëzon bindjen e idhujtarëve: një skllav që është pronë e zotëriut të vet dhe që nuk mund të bëjë asgjë me dëshirën e vet dhe as nuk zotëron asgjë, dhe një njeri të lirë, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri hallall dhe i cili mund të shpenzojë lirshëm prej saj në hallall, si dhe të japë lëmoshë fshehtazi dhe haptazi. A mund të thotë ndonjë që ka logjikë se këta dy njerëz janë të barabartë?! Po kështu, Allahu që është Krijuesi, Zotëruesi dhe Ai që vepron si të dojë në zotërimin e Tij, nuk mund të krahasohet kurrë me krijesat e Tij dhe robët e Tij; atëherë si i bëni Allahut shok dhe si i krahasoni idhujt tuaj me Allahun?! Vetëm Allahut i përket falënderimi dhe lavdërimi, por shumica e idhujtarëve dhe e njerëzve nuk e dinë se falënderimi i përket Allahut dhe mirësia është vetëm nga Ai, dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet.

[4] Allahu sjell gjithashtu një shembull tjetër për rrëzimin e idhujtarisë: dy burra, njëri nga të cilët është shurdh-memec, që as dëgjon as flet; as kupton as kuptohet; as nuk mund t’i sjellë ndonjë të mirë vetes as të tjerëve, dhe ai është barrë për kujdestarin e vet, i cili kudo që ta dërgojë për ndonjë nevojë, ai nuk ia del dhe nuk kryen punë; kurse burri i dytë është një njeri i plotë me të gjitha shqisat, i dobishëm për vete dhe për të tjerët, që urdhëron për drejtësi dhe është në rrugë të drejtë e të mbarë. A mund të jenë të barabartë këta dy burra në sytë e njerëzve që arsyetojnë dhe kanë logjikë? Atëherë, si barazoni mes idhujve shurdh-memecë prej guri e druri, dhe mes Allahut Fuqiplotë dhe Furnizuesit me të gjitha të mirat?!

[5] Vetëm Allahu i di të fshehtat e qiejve dhe të Tokës, dhe askush tjetër prej krijesave të Tij, përfshirë idhujt që idhujtarët adhurojnë. Çështja e Orës së Kiametit është aq e shpejtë, sa hap e mbyll sytë, apo edhe më e shpejtë, sepse për Allahun mjafton të thotë “Bëhu!” dhe ajo bëhet. Allahu është i Fuqishëm që ta bëjë Kiametin aq shpejt sa të dojë dhe Ai është i Fuqishëm për gjithçka.

[6] Allahu ju ka nxjerr nga barqet e nënave tuaja pas plotësimit të periudhës së shtatzanisë, ndërsa ju nuk dinit asgjë, dhe Ai ju dha shqisat e njohjes dhe të perceptimit: ju dha dëgjimin, shikimin dhe zemrën, në mënyrë që ju të falënderoni dhe të jeni mirënjohës ndaj Allahut për mirësitë që ju ka dhënë, dhe të adhuroni vetëm Atë.

[7] A nuk i shohin idhujtarët se si i ka mësuar Allahu shpendët që të fluturojnë lehtësisht lart në qiell? Askush nuk i mban ato që të mos bjen në Tokë, përveç Allahut, i Cili i ka përshtatur ato në mënyrën më të përsosur. Vërtet, këtu ka prova të qarta se Allahu është Një e i Pashoq, dhe se idhujt nuk kanë asnjë pjesë në krijim apo që të meritojnë të adhurohen; por provat janë për njerëzit që besojnë se ato argumentojnë për fuqinë e Allahut.

-275-


  1. Allahu i ka bërë shtëpitë tuaja vend pushimi për ju, dhe nga lëkurët e kafshëve ju ka dhënë shtëpi (çadra), në mënyrë që t’i mbartni lehtë kur udhëtoni dhe kur qëndroni në një vend. Edhe nga leshi i tyre (deleve), qimet e devesë dhe të dhisë ju ka dhënë orendi dhe kënaqësi, deri në një kohë të caktuar.[1]
  2. Allahu ka bërë për ju hije nga ato që ka krijuar; ka bërë për ju streha nëpër male; ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia dhe veshje për t’ju mbrojtur në luftë. Kështu e kompleton Ai mirësinë e Tij mbi ju, në mënyrë që ju të nënshtroheni (para Allahut).[2]
  3. Por nëse ata shmangen, detyra jote (o Muhamed) është vetëm shpallja e qartë.[3]
  4. Ata e njohin mirësinë e Allahut, por megjithatë e mohojnë atë, dhe shumica e tyre janë mohuesit.[4]
  5. Dhe (kujto) ditën, kur Ne do të sjellim një dëshmitar nga çdo popull, pastaj jobesimtarëve nuk do t’u jepet leje të shfajësohen dhe as nuk do t’u kërkohet të kënaqin (Zotin e tyre).[5]
  6. E kur të padrejtët ta shohin dënimin, ai nuk do t’u lehtësohet, as nuk do t’u shtyhet.[6]
  7. Dhe kur idhujtarët të shohin idhujt e tyre, do të thonë: “Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilëve ne i luteshim në vendin Tënd.” Por ata (idhujt) do t’u drejtojnë këto fjalë: “Me të vërtetë, ju jeni gënjeshtarë!”[7]
  8. Atë ditë, ata do t’i shfaqin Allahut nënshtrimin e plotë, dhe ajo që trillonin do t’i lërë në baltë.[8]

[1] Allahu i ka bërë shtëpitë tuaja vend pushimi dhe qetësie për ju, ku të shplodheni e të pushoni me familjen tuaj ndërsa jeni në vendin tuaj. Kurse kur jeni në udhëtim, Allahu ka bërë që ju të përdorni çadra e tenda nga lëkurët e kafshëve, të cilat mund t’i mbartni lehtë gjatë udhëtimit, dhe t’i ndërtoni lehtësisht kur të qëndroni në një vend. Edhe nga leshi i deleve, qimet e deveve dhe qimet e dhive, Allahu ka bërë për ju orendi shtëpiake, qilima e shtroja, veshje e zbukrime, që ju të kënaqeni deri në një farë kohe, kur të vijë afati juaj i largimit nga kjo botë.

[2] Allahu ka bërë për ju hije nga gjërat që ka krijuar, si pemët, shkëmbinjtë, etj; ka bërë për ju strehë nëpër male, si shpellat apo të çarat mes shkembinjve, që t’i përdorni në rast nevoje; ka bërë për ju rroba prej leshi, pambuku, etj., që t’ju ruajnë nga i nxehti dhe nga i ftohti, si dhe veshje prej metali që t’ju ruajnë nga shtizat e goditjet në rast lufte. Kështu si ju ka dhënë këto mirësi për të cilat ju keni nevojë në jetën tuaj, po ashtu e kompleton mirësinë e Tij ndaj jush me sqarimin e fesë dhe besimit të vërtetë që ju duhet të ndiqni, në mënyrë që t’i dorëzoheni vetëm Allahut, të adhuroni vetëm Allahun dhe të mos i shoqëroni Atij askënd dhe asgjë në adhurim.

[3] Nëse idhujtarët largohen prej teje, o Muhamed, edhe pasi i shohin provat e Allahut, ti mos u mërzit, sepse ti nuk ke faj dhe detyra jote është vetëm t’ua shpallësh qartë mesazhin me të cilin të ka dërguar Allahu, kurse udhëzimi është në Dorën e Allahut.

[4] Idhujtarët dhe mohuesit e njohin mirësinë e Allahut dhe e dinë se çdo të mirë që kanë, ajo është nga Allahu, dhe po kështu e mira më e madhe që u ka ardhur atyre, dërgimi i Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që të jetë i dërguar i Allahut tek ata, e njohin dhe e dinë shumë mirë se dërgimi i Muhamedit është mirësi nga Allahu, por megjithatë, ata e mohojnë profetësinë e tij ashtu si mohojnë të gjitha mirësitë e Allahut, në vend që të falënderojnë Allahun dhe të jenë mirënjohës ndaj Tij për to. Me të vërtetë, shumica e popullit të Muhamedit në fillim të Islamit ishin mohues të profetësisë së Muhamedit dhe të Allahut e mirësive të Tij ndaj tyre.

[5] Kujto, o i Dërguar, atë që do të ndodhë në Ditën e Kiametit, kur Allahu do t’i sjellë çdo populli të dërguarin e vet për të qënë dëshmitar kundër atyre që mohuan dhe për ata që besuan, pastaj jobesimtarëve nuk do t’i jepet lejë të shfajësohen për atë që vepruan në dynja, dhe as nuk do t’u kërkohet të kënaqin Zotin e tyre duke u penduar dhe duke vepruar mirë, sepse koha e kësaj ka mbaruar tashmë dhe nuk ka më kthim mbrapa në dynja që të mund të pendohen e të veprojnë mirë.

[6] Kur të padrejtët që mohuan Allahun të shohin dënimin e Allahut në botën tjetër me sytë e tyre, ai dënim nuk do ju lehtësohet aspak, as nuk do ju shtyhet, por do të futen menjëherë në të, ashtu si e meritojnë.

[7] Kur idhujtarët në ditën e Kiametit të shohin idhujt e tyre që adhuruan në vend të Allahut, do të thonë: “Zoti ynë, këta janë idhujt tanë që i adhuruam në vendin Tënd në dynja.” Kurse idhujt e tyre do i përgënjeshtrojnë duke iu kthyer me fjalët: “Me të vërtetë, ju, o idhujarë, jeni gënjeshtarë, kur na shoqëruat me Allahun dhe na adhuruat përkrah Tij, dhe nuk ishim ne ata që jua urdhëruam këtë gjë, as nuk pretenduam se meritonim të adhuroheshim prej jush! Kështu që, fajin e keni vetë.”

[8] Idhujtarët do të shfaqin nënshtrimin dhe përuljen e plotë para Allahut në ditën e Kiametit, dhe sigurisht, që do të braktisen nga idhujt që ata vetë i trillonin dhe i adhuronin në vend të Allahut, dhe për të cilët thoshin se do të jenë ndërmjetës dhe ndihmës të tyre tek Allahu.

-276-


  1. Atyre që mohojnë dhe i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut, Ne do t’u shtojmë dënim mbi dënim, për të gjithë prishjen që ata kanë bërë.[1]
  2. Atë ditë Ne do të sjellim dëshmitarë kundër çdo populli nga vetë mesi i tyre, dhe ty (Muhamed) do të të sjellim dëshmitar kundër këtyre (popullit tënd). Ne ta kemi zbritur ty Librin për të qenë shpjegim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe lajm i mirë për muslimanët.[2]
  3. Me të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, të keqen dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju të kujtoni.[3]
  4. Përmbushni besëlidhjen e Allahut, kur ta lidhni atë dhe mos i thyeni betimet, pasi t’i keni bërë ato, përderisa e keni bërë Allahun garantuesin tuaj. Vërtet, Allahu i di të gjitha ato që bëni.[4]
  5. Dhe mos u bëni si ajo që e shprish tjerrën e saj pasi ta ketë thurur fort, duke i përdorur betimet tuaja si mjet mashtrimi mes njëri-tjetrit, vetëm se një grup është më i madh se tjetri. Me të vërtetë, Allahu ju sprovon me anë të kësaj, dhe me siguri, në Ditën e Kiametit, Ai do t’jua bëjë të qarta çështjet për të cilat ju nuk pajtoheshit.[5]
  6. Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai lë në humbje kë të dojë dhe udhëzon kë të dojë; e ju, gjithsesi, do të pyeteni për atë që keni bërë.[6]

[1] Atyre që mohojnë Allahun dhe përgënjeshtrojnë të Dërguarin e Tij, si dhe pengojnë njerëzit nga besimi i drejtë dhe ndjekja e rrugës së Vërtetë të Allahut, Allahu do i shtojë dënim mbi dënim, për mohimin e Allahut dhe për pengimin e të tjerëve nga rruga e Allahut, dhe kjo për shkak se ata bënin prishje të qëllimshme në Tokë, duke i çuar njerëzit në humbje me mohim të Allahut dhe mëkate e krime.

[2] Në ditën e Kiametit, Ne do të sjellim dëshmitarë kundër çdo populli nga vetë mesi i tyre, e ata dëshmitarë janë të dërguarit e Allahut tek ata, dhe po ashtu ty, o Muhamed, do të sjellim dëshmitar kundër popullit dhe ymetit tënd, për të dëshmuar se si të janë përgjigjur ty dhe thirrjes tënde. Ne ta kemi zbritur ty, o Muhamed, Kuranin, për të qenë shpjegim për çdo gjë që njerëzit kanë nevojë të dinë prej rregullave të fesë dhe të jetës në këtë botë si dhe ato që lidhen me besimin dhe botën tjetër; si dhe për të qenë udhëzim në rrugën dhe besimin e drejtë, mëshirë për ata që e besojnë dhe e zbatojnë atë, dhe lajm i mirë për të ardhmen që i pret besimtarët muslimanë në këtë botë dhe në botën tjetër.

[3] Allahu i urdhëron robët e Tij në Kuran për të vepruar me drejtësi ndaj Allahut duke adhuruar vetëm Atë dhe duke mos i bërë shok e ortak Atij, dhe ndaj njerëzve duke ruajtur të drejtat e secilit; dhe urdhëron për të vepruar me mirësi dhe çiltërsi në adhurimet ndaj Tij dhe në sjelljet e fjalët ndaj njerëzve; dhe urdhëron për të ndihmuar të afërmit me të gjitha mundësitë dhe mënyrat që të ruash lidhjen me ta; si dhe ndalon nga imoraliteti dhe çdo vepër e keqe dhe e shëmtuar që e ndalon feja dhe logjika, si mosbesimi dhe mëkatet; dhe ndalon nga padrejtësia ndaj njerëzve dhe shkelja e të drejtave të tyre. Allahu jua jep këto këshilla dhe ju kujton përfundimet e tyre, në mënyrë që ju të kujtoni urdhrat dhe ndalesat e Allahut dhe t’i zbatoni ato, që të përfitoni prej tyre.

[4] Përmbushni të gjitha besëlidhjet që i keni lidhur mes jush dhe Allahut apo mes jush dhe njerëzve, përderisa nuk kundërshtojnë Ligjin e Allahut, dhe mos i thyeni betimet pasi i keni bërë ato, sepse kur betoheni në Allahun, ju e merrni Allahun për garantuesin tuaj në atë marrëveshje që po bëni. Me të vërtetë, Allahu i di të gjitha ato që bëni ju, dhe do ju shpërblejë për to.

[5] Mos i shkelni besëlidhjet dhe marrëveshjet tuaja, e të bëheni si ajo gruaja që tërë ditën e tjerr fortë tjerrën e saj, pastaj në mbrëmje e prish atë të gjithën; pra mos i shkelni besëlidhjet dhe marrëveshjet duke i përdorur betimet tuaja si mjet mashtrimi të njëri-tjetrit, kur gjeni një grup tjetër më të fortë dhe më të madh në numër e në pasuri se sa grupi me të cilin keni një besëlidhje dhe një marrëveshje. Me të vërtetë, Allahu ju vë në provë nëse do i përmbaheni besëlidhjes dhe marrëveshjes ashtu si ka urdhëruar Allahu, apo do e prishni atë sa t’ju jepet rasti apo sipas interesit? Allahu do t’jua bëjë të qartë, në ditën e Kiametit, të gjitha ato gjëra për të cilat nuk pajtoheshit në dynja, qoftë në lidhje me besimin apo me çështjet e dynjasë.

[6] Sikur të kishte dashur Allahu, do i kishte dhënë sukses të gjithë njerëzve për të qenë një popull i vetëm që kishte një besim të vetëm, e që është Islami, dhe që nuk do të kundërshtoheshin për asgjë, por Ai lë në humbje kë të dojë prej atyre që e di se ata i japin përparësi humbjes dhe mosbesimit, kështu që nuk i jep sukses të udhëzohen, sipas drejtësisë së Tij, dhe udhëzon kë të dojë prej atyre që e di se i japin përparësi të vërtetës dhe të drejtës, kështu që e udhëzon në rrugën e drejtë me mirësinë dhe favorizimin e Tij. Por, gjithsesi, Allahu do t’i marrë në pyetje që të gjithë në ditën e Kiametit, se çfarë kanë vepruar në dynja prej urdhrave dhe ndalesave të Tij, dhe pastaj do të shpërblejë secilin sipas asaj që ka bërë.

-277-


  1. Mos i përdorni betimet tuaja si mjet mashtrimi të njëri-tjetrit, që të mos ju rrëshqasë këmba pasi të ketë qenë ngulur mirë, e të shijoni të keqen për shkak se penguat nga rruga e Allahut dhe të keni një ndëshkim të madh.[1]
  2. Dhe mos e këmbeni besëlidhjen e Allahut me një çmim të vogël. Ajo që është tek Allahu, sigurisht që është më e mirë për ju, vetëm sikur ta dinit.[2]
  3. Gjithçka që keni ju do të mbarojë, ndërsa gjithçka që ka Allahu është e përhershme. Sigurisht, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë.[3]
  4. Kushdo që bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë atë të jetojë një jetë të mirë dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.[4]
  5. Kur të lexosh Kuranin, kërkoi mbrojtje Allahut nga djalli i mallkuar![5]
  6. Sigurisht që ai (djalli) nuk ka asnjë pushtet mbi ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre.[6]
  7. Por pushteti i tij (djallit) është vetëm mbi ata, të cilët e marrin atë si mbrojtës, dhe të cilët për shkak të tij i bëjnë shok Allahut.[7]
  8. Kur Ne zëvendësojmë një ajet me një ajet tjetër – e Allahu e di më së miri atë që Ai zbret – ata thonë: “Ti (Muhamed) je vetëm një trillues!” Në fakt, shumica e tyre nuk dinë.[8]
  9. Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhëzues dhe lajm i mirë për ata që i nënshtrohen Allahut.”[9]

[1] Mos i përdorni betimet tuaja si mjet mashtrimi kundër atyre të cilëve ju betoheni, sepse përndryshe do të rrëshqisni dhe do të shkatërroheni pasi që ishit të sigurt dhe të ngulur mirë në besimin dhe fenë tuaj Islame, dhe do të shijoni të keqen në jetën e kësaj bote për shkak se penguat të tjerët të futen në këtë fe kur panë rrëshqitjen dhe mashtrimin në betimet tuaja, dhe sigurisht që në botën tjetër do të keni dënim shumë më të madh.

[2] Mos e prishni besëlidhjen e Allahut dhe marrëveshjet që keni bërë duke u betuar në Allahun, duke e këmbyer atë me një fitim të vogël të kësaj bote, sepse shpërblimi që është tek Allahu për përmbushjen e besëlidhjes dhe marrëveshjes është shumë më i mirë për ju se ky çmim i vogël e kalimtar i kësaj bote, vetëm sikur ta dinit të vërtetën e kësaj dhe të kuptonit dallimin mes të mirave të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[3] Gjithçka që ju zotëroni nga plaçkat dhe stolitë e kësaj bote, do të mbarojë dhe do të zhduket, por ajo që është tek Allahu prej furnizmit e shpërblimit, nuk mbaron kurrë por është e përhershme. Sigurisht që Allahu do i shpërblejë ata që durojnë në këtë botë për t’ju përmbajtur besëlidhjes dhe marrëveshjes, si dhe durojnë në zbatimin e të gjitha urdhrave të Allahut dhe Ligjeve të Tij, me shpërblimin e veprave të tyre më të mira që kanë bërë; pra shpërblimi i veprave të tyre më të vogla do të jetë njësoj si shpërblimi i veprave të tyre më të mëdha e më të mira që kanë bërë, me mirësinë dhe bujarinë e Allahut.

[4] Kushdo që bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë se është besimtar që beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Ne do të bëjmë që Ai të jetojë një jetë të mirë e të lumtur në këtë botë, kurse në botën tjetër do ta shpërblejmë me shpërblimin e veprave më të mira që ka bërë në dynja.

[5] Kur ti, o besimtar, dëshiron të lexosh diçka nga Kurani, kërkoi mbrojtje Allahut nga e keqja e shejtanit të mallkuar e të dëbuar nga mëshira e Allahut, duke thënë: “Eudhu bilahi minesh shejtanirr rraxhim!”

[6] Sigurisht që shejtani nuk ka asnjë pushtet apo fuqi mbi besimtarët që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që i mbështeten vetëm Allahut.

[7] Pushteti i shejtanit është vetëm mbi ata të cilët i binden atij dhe e kanë marrë atë për mbrojtës e aleat, dhe të cilët për shkak të tij i bëjnë shok Allahut në adhurim, duke adhuruar përkrah Allahut apo në vend të Tij idhujt dhe vetë shejtanin.

[8] Kur Allahu zëvendëson një ajet me një ajet tjetër, me dijen dhe Urtësinë e Tij për atë që është më e mirë për krijesat e Tij në kohë të caktuara, idhujtarët dhe mohuesit thonë: “Ti, o Muhamed, nuk je veçse një trillues që shpif për Allahun gjëra që Ai nuk i ka thënë.” Në fakt, nuk është ashtu, por shumica e tyre nuk dinë asgjë për Zotin e tyre dhe as për shpalljet dhe ligjet e Tij.

[9] Thuaju idhujtarëve dhe mohuesve, o Muhamed: “Kuranin nuk e kam trilluar unë, por atë e ka zbritur Xhibrili nga Zoti im me të vërtetën dhe të drejtën, për të qenë forcues për besimtarët dhe për t’i bërë të vendusur ata, dhe për të qenë udhëzues në rrugën e drejtë dhe lajm i mirë për muslimanët, të cilët i nënshtrohen Allahut dhe i përulen urdhrit të Tij.

-278-


  1. Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë e mëson një njeri!” Por gjuha e atij të cilit i referohen është e huaj, kurse ky (Kuran) është në gjuhën e qartë arabe.[1]
  2. Me të vërtetë, ata që nuk i besojnë provat e Allahut – Allahu nuk i udhëzon dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.[2]
  3. Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata, të cilët nuk i besojnë provat e Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë.[3]
  4. Kushdo që mohon Allahun, pas besimit të tij – jo ai që është i detyruar me forcë, ndërsa zemra e tij është e patundur në besim, por ai që i hap gjoksin mosbesimit – mbi ta ka zemërim nga Allahu dhe ata do të kenë një dënim të madh.[4]
  5. Kjo, sepse ata preferuan jetën e kësaj bote ndaj botës tjetër, dhe sepse Allahu nuk i udhëzon njerëzit mohues.[5]
  6. Këta janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat, të dëgjuarit dhe të parët, dhe pikërisht këta janë të shkujdesurit.[6]
  7. S’ka dyshim se në botën tjetër, këta janë të humburit.[7]
  8. Kurse për ata që emigruan pasi u sprovuan, pastaj luftuan dhe duruan – me të vërtetë, Zoti yt pas kësaj është Falës, Mëshirëplotë.[8]

[1] Ne e dimë se idhujtarët thonë që Muhamedi e mëson Kuranin nga një njeri – një skllav romak i krishterë që gjendej në Meke në atë kohë – por ata janë gënjeshtarë, sepse gjuha e atij njeriu që ata pretendojnë se i mëson Muhamedit Kuranin është gjuhë e huaj dhe e paqartë, kurse Kurani është në gjuhën e qartë e të lartë arabe.

[2] Mohuesit që nuk e besojnë Kuranin, i cili është provë dhe shpallje e Allahut, nuk do të udhëzohen nga Allahu në rrugën e drejtë dhe të vërtetë në këtë botë, kurse në botën tjetër ata do të kenë dënim të rëndë dhe të dhembshëm, për shkak të mohimit të tyre.

[3] Gënjeshtra trillojnë vetëm ata që nuk e besojnë Allahun dhe Kuranin, që është provë e Allahut, por thonë që Kurani është vepër e njeriut, por realiteti është se pikërisht ata që thonë këtë janë gënjeshtarët e vërtetë, kurse Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është i Dërguari i Allahut dhe i nënshtruar ndaj Tij, kështu që kurrë nuk mund të thoshte gënjeshtër për Allahun, apo të thotë diçka që Allahu nuk e ka thënë.

[4] Ata që mohojnë Allahun, shpalljen e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, pasi kanë besuar më parë, por më pas kanë shprehur mosbesimin – jo ata që detyrohen me forcë të thonë fjalën e mosbesimit, siç u detyruan Amar ibën Jasir dhe disa besimtarë muslimanë të tjerë në fillim të Islamit, ndërkohë që zemra e tyre është e mbushur me besim, e patundur dhe e kënaqur me besimin, këta nuk qortohen; por ata që shprehin fjalën e mosbesimit me gjithë zemër dhe kënaqen me mosbesimin – ata do të kenë mbi vete zemërim nga Allahu në këtë botë dhe dënim të madh në botën tjetër.

[5] Zemërimi dhe dënimi i Allahut mbi ata që i hapin zemrën dhe gjoksin mosbesimit është për shkak se ata i japin përparësi jetës së kësaj bote dhe stolive të saj mbi botën tjetër dhe shpërblimin që gjendet atje; dhe sepse Allahu nuk i udhëzon ata që zgjedhin mohimin e provave të Allahut dhe mosbesimin, dhe nuk u jep sukses atyre që të përqafojnë të vërtetën dhe ta zbatojnë atë.

[6] Këta idhujtarë e mohues që u përmendën më sipër janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat për shkak të mosbesimit dhe preferimit të jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër, kështu që në zemrat e tyre nuk arrin drita e udhëzimit; dhe Allahu shurdhuar të dëgjuarit e tyre, kështu që ata nuk i dëgjojnë ajetet e Allahut me dëgjim të vëmendshëm për t’i kuptuar; dhe po ashtu ka verbuar sytë e tyre, kështu që nuk i shohin provat e Allahut dhe shenjat e Tij që vërtetojnë Madhështinë e Tij dhe se adhurimi i takon vetëm Atij; pikërisht këta janë të shkujdesurit dhe të pavëmendshmit ndaj dënimit që Allahu ka përgatitur për ta.

[7] S’ka dyshim se të humburit dhe të shkatërruarit në botën tjetër do të jenë pikërisht këta, të cilët e shpërdoruan jetën e tyre në dynja duke ndjekur rrugën që i çonte drejt humbjes dhe shkatërrimit të përjetshëm.

[8] Sa i përket atyre besimtarëve të dobët të Mekes, të cilët u sprovuan duke u torturuar për të shprehur fjalën e mosbesimit, dhe e shprehën atë, duke qenë se zemrat i kishin të mbushura me besim, pastaj emigruan nga meka në Medine menjëherë sa iu dha mundësia, pastaj luftuan idhujtarët për çështjen e Allahut dhe duruan mundimet – pa dyshim se Zoti yt, o Muhamed, pas kësaj sprove dhe pas kërkimit të faljes nga ata, do t’i falë dhe do t’i mëshirojë ata, sepse Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

-279-


  1. Atë ditë, secili njeri do të vijë duke diskutuar për veten dhe, secili njeri do të shpërblehet plotësisht për atë që ka bërë; dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi![1]
  2. Allahu sjell shembull një qytet (Mekën), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i vinte furnizimi me bollëk nga të gjitha anët, por ai i mohoi dhuntitë e Allahut, kështu që Allahu e bëri të shijojë petkun e urisë dhe të frikës, për shkak të asaj që ata (banorët e tij) bënin.[2]
  3. Atyre u erdhi një i dërguar nga mesi i tyre, por ata e përgënjeshtruan atë, kështu që i goditi dënimi duke qenë të padrejtë.[3]
  4. Hani nga gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka furnizuar Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet adhuroni vetëm Atë.[4]
  5. Ai ju ka ndaluar vetëm të ngordhurën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që është therur në emër të dikujt tjetër përveç Allahut. Por nëse dikush detyrohet (nga uria e madhe), pa i dëshiruar ato dhe pa e tepruar – me të vërtetë, Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[5]
  6. Dhe mos thoni për gënjeshtrën që deklarojnë gjuhët tuaja: “Kjo është e lejuar e kjo e ndaluar”, për të trilluar gënjeshtrën ndaj Allahut. Me të vërtetë, ata që trillojnë gënjeshtrën ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.[6]
  7. Do të kenë një kënaqësi të shkurtër (në këtë botë), por i pret një dënim i dhembshëm (në botën tjetër).[7]
  8. Kurse hebrenjve, Ne u ndaluam atë që të kemi treguar më parë. Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata i bënin padrejtësi vetvetes.[8]

[1] Kujtoju atyre, o Muhamed, ditën kur secili (nefs) njeri me trup e shpirt (dhe po ashtu xhindët) do të vijë para Allahut duke diskutuar dhe duke mbrojtur veten me justifikime të ndryshme, dhe atje secili do të marrë shpërblimin e tij të plotë për atë që ka bërë në dynja, pa iu bërë askujt padrejtësia më e vogël; as nuk do u shtohet dënimi as nuk do u pakësohet shpërblimi.

[2] Allahu sjell shembull banorët e qytetit të Mekes, të cilët ishin të sigurt nga çdo lloj sulmi armiqësor -edhe pse fiset arabe në vendet përreth luftonin mes njëri-tjetrit, por Mekën nuk e sulmonin kurrë – dhe ishin të qetë për nga furnizimi dhe nevojat jetësore. Atij qyteti i vinte furnizimi me bollëk nga të gjitha anët, por banorët e tij i mohuan mirësitë e Allahut ndaj tyre, duke i bërë Atij shok në adhurim dhe duke mos e falënderuar Atë, kështu që Allahu i ndëshkoi ata me petkun e urisë (për vite të tëra pas emigrimit të Muhamedit dhe besimtarëve të Mekes në Medine, banorët e Mekes vuajtën nga uria e madhe) dhe me petkun e frikës nga ushtritë e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), si në luftën e Bedrit, dhe kjo për shkak të mohimit dhe veprave që ata bënin – adhurimin e idhujve, përgënjeshtrimin e të Dërguarit të Allahut, mohimin e Kuranit dhe të gjitha veprat e tjera të këqia që ata bënin.

[3] Banorëve të Mekës u erdhi i Dërguari i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nga vetë gjiri i tyre, dhe ata e njihnin mirë atë dhe prejardhjen e tij, por megjithatë nuk e pranuan atë që i shpallej atij dhe nuk e besuan atë, por e quajtën gënjeshtar, kështu që i goditi dënimi me uri, frikë dhe vrasje të mëdhenjve të tyre në luftën e Bedrit, duke qenë se vazhdonin të ishin të padrejtë në idhujtarinë dhe mohimin e tyre, dhe në pengimin e njerëzve nga rruga e Allahut.

[4] Hani, o besimtarë, nga të gjitha gjërat që ju ka furnizuar Allahu dhe që jua ka lejuar e i ka bërë të shijshme e të shëndetshme për ju, dhe falënderoni Allahun për mirësitë e Tij të panumërta, duke i pranuar ato dhe duke i shfrytëzuar në bindjen ndaj Allahut, nëse vërtet adhuroni vetëm Allahun dhe i bindeni urdhrave dhe ndalesave të Tij, pa i shoqëruar asnjë ortak.

[5] Allahu ju ka ndaluar juve, o besimtarë, vetëm ngrënien e kafshës së ngordhur, gjakun që rrjedh nga kafsha kur theret, mishin e derrit dhe mishin e atyre kafshëve që theren në emër të dikujt tjetër përveç Allahut. Por megjithatë, nëse dikush detyrohet të hajë diçka prej këtyre të ndaluarave nga frika e vdekjes nga uria, por pa i dëshiruar ato dhe pa e kaluar kufirin e të domosdoshmes, padyshim se Allahu e falë dhe e mëshiron atë, dhe nuk do e dënojë për të, sepse Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Këto janë ato kafshë që i ndalon Allahu të hahet mishi i tyre, dhe jo ato që thonë idhujtarët, të cilët bëjnë të ndaluar gjëra që nuk i ka ndaluar Allahu pa pasur asnjë dije apo argument.

[6] Mos i thoni gënjeshtrës që trillojnë gjuhët tuaja, o idhujtarë, se: “Kjo që ka ndaluar Allahu është e lejuar, e kjo që ka lejuar Allahu është e ndaluar!”, me qëllim që të shpifni gënjeshtër ndaj Allahut dhe t’i vishni Atij diçka që nuk e ka thënë. Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtër për Allahun nuk do të kenë kurrë sukses në këtë botë dhe nuk do të shpëtojnë nga dënimi në botën tjetër.

[7] Plaçka dhe kënaqësia që do të kenë në këtë botë është e pakët dhe e përkohshme, por ajo që i pret në botën tjetër është dënim shumë i dhembshëm që nuk mbaron.

[8] Kurse hebrenjve, Ne u ndaluam ato që t’i kemi treguar më parë, o Muhamed, (në suren el En’am, ajeti 146 – kafshët njëthundrake dhe dhjamin e lopëve e të deleve). Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre me këto ndalesa, por ishin vetë ata që i bënë padrejtësi vetes dhe merituan që t’ua bënim të ndaluara këto për shkak të mohimit dhe kundërshtimit që ata i bënë Zotit të tyre.

-280-


  1. Me të vërtetë, Zoti yt, ndaj atyre që kryejnë të keqen nga padituria, pastaj pendohen pas kësaj dhe përmirësohen – me të vërtetë, Zoti yt, pas kësaj, është Falës, Mëshirëplotë.[1]
  2. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte model (i së mirës), i përkushtuar ndaj Allahut, në fenë e drejtë e të pastër (Islame) dhe nuk ishte nga idhujtarët.[2]
  3. Ishte mirënjohës për mirësitë e Tij (Allahut). Ai (Allahu) e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë.[3]
  4. Ne i dhamë atij të mira në këtë botë, ndërsa në botën tjetër, sigurisht që ai do të jetë nga të mirët.[4]
  5. Pastaj të shpallëm ty (Muhamed): “Ndiq fenë e drejtë e të pastër të Ibrahimit, i cili nuk ishte nga idhujtarët!”[5]
  6. E Shtuna u shugurua vetëm për ata që kundërshtuan në lidhje me të. Sigurisht që Zoti yt do të gjykojë mes tyre në Ditën e Kiametit, për atë që ata nuk pajtoheshin.[6]
  7. Fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë dhe diskuto me ta në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt e di më së miri se kush është larguar nga rruga e Tij, dhe Ai e di më së miri se kush janë të udhëzuarit.[7]
  8. Dhe nëse hakmerreni, hakmerruni në të njëjtën masë sa jeni dëmtuar, por nëse duroni (dhe nuk hakmerreni), kjo është më e mirë për të durueshmit.[8]
  9. Pra, duro! E, durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta (mohuesit), as mos u shqetëso për shkak të asaj që kurdisin![9]
  10. Me të vërtetë, Allahu është me ata që ruhen nga e keqja, dhe të cilët veprojnë mirë.[10]

[1] Me të vërtetë, Zoti yt, o Muhamed, është Falës dhe Mëshirëplotë ndaj atyre që bëjnë mëkat duke qenë të paditur për pasojat e saj dhe tërheqjen e zemërimit të Allahut ndaj tyre, por pastaj pendohen dhe kërkojnë falje nga Allahu dhe e përmirësojnë vetveten dhe veprat e tyre, pa dyshim se pas pendimit dhe përmirësimit të gjendjes së tyre, Allahu do t’i falë dhe do t’i mëshirojë ata.

[2] Me të vërtetë, Ibrahimi (alejhis selam) ishte model dhe shembull i çdo të mire për besimtarët, i bindur dhe i përkushtuar ndaj Allahut, në besimin dhe fenë e pastër e të vërtetë Islame, nga e cila nuk devijonte kurrë, dhe nuk ishte kurrë prej idhujtarëve, siç pretendojnë idhujtarët dhe ithtarët e feve të devijuara.

[3] Ibrahimi (alejhis selam) ishte mirënjohës ndaj Allahut për mirësitë që i kishte dhënë. Allahu e zgjodhi atë për shpalljen e Tij dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë të Islamit.

[4] Për përkushtimin e Ibrahimit ndaj Nesh dhe për falënderimin e tij, Ne i dhamë atij të mira në këtë botë, duke bërë që ai të jetë model dhe shembull për besimtarët dhe të përmendet për mirë nga të gjithë ata deri në ditën e Kiametit, ndërsa në botën tjetër, ai do të jetë nga të mirët e gradëve më të larta.

[5] Pastaj Ne të shpallëm ty, o Muhamed, që të ndjekësh fenë Islame ashtu si e ndoqi Ibrahimi dhe të bëhesh i qëndrueshëm e i vendosur në të, dhe të mos devijosh aspak prej saj; dhe Ibrahimi nuk ka qenë kurrë prej idhujtarëve, ndryshe nga ajo që pretendojnë hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët thonë se Ibrahimi ishte në fenë e tyre, por ai nuk ka qenë kurrë idhujtar, hebre apo i krishter, por ka qenë në fenë e pastër e të drejtë Islame, pra ka qenë musliman.

[6] Allahu e caktoi madhërimin dhe shenjtërimin e ditës së shtunë për të qenë ditë adhurimi dhe jo pune, vetëm për ata hebrenj të cilët kundërshtuan të dërguarin e tyre në lidhje me ditën që duhet ta veçonin për adhurim, dhe ata zgjodhën ditën e shtunë në vend të ditës së premte që ishin urdhëruar nga i dërguari i Allahut tek ata për të zgjedhur, por megjithatë nuk e ruajtën shenjtërinë e asaj dite. Sigurisht që Zoti yt, o Muhamed, do të gjykojë në ditën e Kiametit mes atyre që kundërshtuan të dërguarin e Tij për atë që kundërshtoheshin, dhe do të shpërblejë secilin sipas asaj që meriton.

[7] Fto në fenë e Zotit tënd dhe rrugën e Tij të drejtë, ti, o i Dërguar, dhe ndjekësit e tu, me urtësinë që të ka mësuar Allahu në Kuran dhe në Sunet, dhe foli njerëzve me mënyrën më të mirë dhe duke i këshilluar në mënyrën më të mirë, duke i bërë të dashur të mirën dhe të urrejtur të keqen; dhe diskuto me ta me mënyrën më të mirë dhe më të butë. Detyra jote, o Muhamed, është vetëm komunikimi i mesazhit të Zotit, dhe ti e bëre këtë, kurse udhëzimi është në Dorën e Allahut, dhe sigurisht që Allahu e di se kush është larguar nga rruga e Tij dhe kush është prej të udhëzuarve në rrugën e drejtë.

[8] Nëse ju, o besimtarë, dëshironi të hakmerreni ndaj atyre që ju kanë dëmtuar e torturuar, atëherë mos u hakmerrni më shumë nga ç’ju kanë dëmtuar, edhe pse po të duroni e të mos hakmerreni, durimi është më i mirë për të durueshmit, qoftë në dynja me fitore e ndihmë nga Allahu, apo në botën tjetër me shpërblimin e madh të Xhenetit.

[9] Pra, duro, o i Dërguar, për dëmtimin dhe lëndimin që të ndodh kur fton në fenë e Allahut, deri sa të vijë shpëtimi dhe ndihma e Allahut. Sigurisht, durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut dhe suksesin që të jep Ai për të duruar. Dhe mos u hidhëro për ata që të kundërshtojnë dhe nuk i përgjigjen thirrjes tënde, as mos u shqetëso nga kurthet dhe planet e tyre, sepse të gjitha do t’u kthehen vetë atyre.

[10] Me të vërtetë, Allahu është me ata që i ruhen Atij, duke iu ruajtur mohimit dhe ndalesave të Tij; dhe të cilët janë vepërmirë, që kryejnë detyrimet ndaj Allahut dhe që me këmbëngulje i binden urdhrave të Tij – Allahu i ndihmon ata, i ruan nga të këqiat dhe u jep sukses në çdo të mirë, si në këtë botë, edhe në botën tjetër.

-281-