SURJA ER RA’D – BUBULLIMA

(Surja Nr. 13, Mekase, 43 ajete)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Elif Lam Mim Ra.[1] Këto janë vargjet e Librit (Kuranit); dhe ajo të është zbritur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e Vërteta, por shumica e njerëzve nuk besojnë.[2]
  2. Është Allahu Ai që i ngriti qiejt pa shtylla – siç mund ta shihni – pastaj u ngrit mbi Arsh; nënshtroi Diellin dhe Hënën – secili prej tyre ecën në kursin e vet deri në një afat të caktuar; drejton të gjithë çështjen; i shpjegon në hollësi provat, në mënyrë që ju të jeni të bindur për takimin me Zotin tuaj.[3]
  3. Është Ai që e shtriu Tokën, vendosi në të male të palëkundshme e lumenj, dhe çdo lloj fryti e vendosi çift në të (Tokë); Ai bën që nata të mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka prova për njerëzit që mendojnë.[4]
  4. Në Tokë ka copa toke fqinje të ndryshme, ka kopshte me rrush, të mbjella dhe palma me disa kërcej ose me një kërcell; që të gjitha ato ujiten me të njëjtin ujë, por megjithatë, disa prej tyre Ne i bëjmë më të mira se të tjerat në shije. Me të vërtet, në këto ka prova për njerëzit që arsyetojnë.[5]
  5. Nëse ti çuditesh, çudi është fjala e tyre: “Vallë, pasi të jemi bërë pluhur, a do të krijohemi vërtet përsëri?!” Këta janë ata që e mohuan Zotin e tyre; janë ata në qafat e të cilëve do të ketë pranga; janë banorët e Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[6]

[1] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab, nga të cilat përbëhet edhe Kurani. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

[2] Këto janë vargjet apo ajetet e Librit të Allahut, Kuranit, të cilat përfshijnë dhe përmbajnë gjithçka që ju duhet njerëzve për fenë dhe jetën e tyre në këtë botë, si dhe në botën tjetër; dhe ajo që të ka shpallur Zoti yt, o Muhamed, prej Kuranit dhe Sunetit, është e vërteta absolute, prandaj zbatoje atë dhe kapur fort për të; megjithëse shumica e njerëzve prej idhujtarëve kurashit dhe mohuesve e idhujtarëve të tjerë pas tyre nuk e besojnë të vërtetën që të është zbritur ty, dhe nuk e pranojnë këtë Kuran dhe vargjet, ajetet, provat e mrekullitë që ai përmban.

[3] Është Allahu i Madhëruar, Ai që i ngriti shtatë qiejt pa shtylla për t’i mbajtur ato – siç mund ta shihni edhe vetë / ose mund të ketë edhe kuptimin: i ngriti shtatë qiejt pa shtylla të dukshme për ju; d.m.th. me shtylla, por që nuk i shihni – e ato shtylla janë forca e tërheqjes që është e padukshme për ne; e sido që të jetë, qoftë pa shtylla apo me shtylla që ne nuk mund t’i shohim, ngritja dhe qëndrimi i qiejve është një mrekulli dhe provë e qartë dhe e dukshme që tregon Fuqinë dhe Madhështinë e Krijuesit të tyre; pastaj u ngrit mbi Arshin e Tij, i cili është Froni Hyjnor i Madhërishëm, që përfshin në gjerësinë e tij qiejt dhe Tokën; Allahu u ngrit dhe u lartësua mbi Fronin e Tij, mbi Arsh, në atë mënyrë që i përshtatet Madhështisë dhe Pushtetit të Tij; Ai u ngrit mbi Arsh dhe rregulloi e sistemoi gjithësinë, vendosi ligjet e Tij mbi gjithçka krijoi, ligjet fizike dhe ato shpirtërore e fetare. Ai nënshtroi Diellin dhe Hënën për të qenë në dobi të njerëzve në Tokë dhe jo zota për t’u adhuruar – secili prej tyre ecën në orbitën e vet deri në afatin e caktuar të Ditës së Kiametit ku do të bëhen lëndë djegëse e Zjarrit të xhehenemit, për t’iu thënë adhuruesve të tyre se ato janë krijesa të Allahut, të nënshtruara ligjit dhe urdhrit të Allahut dhe jo idhuj që të adhurohen; drejton dhe rregullon të gjithë çështjen e kësaj bote me gjithçka në të dhe të botës tjetër dhe gjithçka në të; i shpjegon në detaje provat dhe argumentet që tregojnë Fuqinë e Tij dhe se Ai është Një Zot i Vetëm, të Cilit i përket i gjithë adhurimi dhe falënderimi; të gjitha këto, me qëllim që ju, o njerëz, të jeni të bindur se do të ringjalleni dhe do të takoni Zotin tuaj në botën tjetër, të besoni në premtimin dhe paralajmërimin e Tij dhe të adhuroni vetëm Atë, në mënyrë që të shpëtoni dhe të fitoni në të dyja botët.

[4] Është Allahu Ai që e shtriu dhe e përhapi Tokën në gjatësi e gjerësi gjeografike, pasi fillimisht e gjithë ajo ishte e mbuluar nga uji, duke e bërë të përshtatshme për jetesë – pra ajeti flet për fazat e përshtatjes së Tokës për jetesën e gjallesave mbi të, duke përfshirë edhe njeriun, dhe jo për formën e Tokës si planet, pasi forma e saj është e njohur instiktivisht, njësoj si forma e të gjithë trupave qiellor, Diellit, Hënës, planeteve e yjeve, pra e rrumbullakët; dhe vazhdimi i ajetit: “Ai bën që nata të mbulojë ditën”, tregon pikërisht se Toka është e rrumbullakët, sepse mbulimi i ditës me natë nuk mund të ndodh veçse kur Toka është e rrumbullakët dhe jo e sheshtë, siç mendojnë disa – dhe Allahu vendosi në Tokë male të palëkundshme, rrënjosura thellë dhe fortë, për të mbajtur Tokën të qëndrueshme e për urtësi të tjera që shkenca tashmë mund t’i kuptojë disa prej tyre; dhe lumenj që burojnë nga malet e rrjedhin nëpër Tokë për t’i shërbyer njerëzve, gjë që tregon fuqinë e Krijuesit dhe mënyrën e mrekullueshme në të cilën Ai e ka përshtatur Tokën për jetesë; pastaj vendosi në Tokë nga të gjitha frytet në çift, që të mund të pllenohen – dhe po kështu, Allahu e ka krijuar në çift çdo gjallesë të Tokës, madje edhe sendet, dukuritë, cilësitë, dhe gjithçka tjetër përveç Allahut është në çift [Edh Dharijat, 49], kurse Allahu është Tek; Ai bën që nata të mbulojë ditën me rrotullimin e Tokës rreth vetes dhe rreth Diellit në orbitën e saj; Në të gjitha këto, padyshim se ka prova të mëdha e të dukshme për njerëzit që mendojnë e arsyetojnë rreth krijimit të Allahut, dhe mësojnë se adhurimi nuk mund t’i dedikohet askujt tjetër prej krijesave por vetëm Allahut të Madhëruesëm, Krijuesit të Përsosur dhe Absolut.

[5] Në Tokë ka copa toke fqinje me njëra-tjetrën, por megjithatë janë të ndryshme nga njëra-tjetra në cilësi, pjellori, ngjyrë, etj; në tokat pjellore mbillen hardhinj rrushi, të mbjella të ndryshme si gruri e elbi, dhe palma me shumë kërcej dhe me një kërcell; që të gjitha këto mbijnë në të njëjtën tokë, ushqehen nga e njëjta tokë dhe vaditen apo ujiten me të njëjtin ujë (me ujë të ëmbël e jo të kripur), por megjithatë, Allahu i ka bërë shijet e tyre të ndryshme nga njëra-tjetra, disa i ka bërë me shije më të mirë se të tjerat, dhe po kështu i ka bërë të ndryshme në formë, ngjyrë dhe aromë, për të treguar Fuqinë dhe Urtësinë e Tij Absolute. Pa dyshim, se në këto shembuj që i shohin të gjithë njerëzit në jetën e tyre të përditshme, ka prova të padiskutueshme për ata njerëz që arsyetojnë dhe e kuptojnë se duhet t’i binden Krijuesit të tyre Madhështor dhe nuk duhet të adhurojnë askënd dhe asgjë tjetër përveç Tij.

[6] Nëse ti, o i Dërguar, çuditesh nga mosbesimi dhe idhujtaria e mohuesve dhe idhujtarëve pas gjithë këtyre provave dhe argumenteve të qarta që i shohin çdo ditë, çudia më e madhe është fjala e tyre: “Vallë, pasi të vdesim e të jemi bërë dhe e pluhur, do të ringjallemi përsëri ashtu si kemi qenë para se të vdisnim?!” – ndërkohë që rikrijimi dhe ringjallja është më e lehtë se krijimi për herë të parë; por ata janë mohuesit e Zotit të tyre, i Cili i krijoi nga asgjëja, dhe për këtë shkak, ata do të kenë pranga zjarri në qafët e tyre në ditën e Kiametit, dhe ata do të jenë banorët e përhershëm të Zjarrit të Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë dhe nuk do të dalin kurrë.

-248-


  1. Ata të nxitojnë ty (Muhamed) që t’u sjellësh të keqen para së mirës, ndonëse në të kaluarën para tyre ka pasur shembuj për ta. Me të vërtetë, Zoti yt është plot falje për njerëzit pavarësisht padrejtësisë së tyre, dhe me të vërtetë, Zoti yt është i ashpër në ndëshkim.[1]
  2. Ata që mohuan thonë: “Përse nuk i është zbritur ndonjë provë nga Zoti i tij?” Por ti (Muhamed) je vetëm paralajmërues; dhe çdo popull ka pasur një udhëzues.[2]
  3. Allahu e di çfarë mbart çdo femër dhe çfarë pakësohet në mitra apo çfarë shtohet. Tek Ai, gjithçka është me masë të caktuar.[3]
  4. (Ai është) Njohësi i së fshehtës dhe i së dukshmes, i Madhi, i Larti.[4]
  5. Njësoj është (për Të): si ai prej jush që e fsheh fjalën e tij edhe ai që e thotë atë haptazi; si ai që fshihet në errësirën e natës edhe ai që ecën hapur në dritën e ditës.[5]
  6. Ai (njeriu) ka shoqërues të njëpasnjëshëm (engjëj), nga para dhe nga mbrapa, që e ruajnë atë nga urdhri i Allahut. Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete; dhe kur Allahu dëshiron ndëshkimin e një populli, nuk ka kthim të tij, dhe përveç Tij, ata nuk kanë asnjë mbrojtës.[6]
  7. Është Ai që ju tregon juve vetëtimën, me frikë dhe shpresë; dhe që krijon retë e rënda.[7]
  8. Bubullima e madhëron Atë me lavdërim, dhe po ashtu engjëjt nga frika ndaj Tij. Ai i dërgon rrufetë dhe godet me to kë të dojë; megjithatë, ata diskutojnë rreth Allahut, ndërkohë që Ai është aq i Fuqishëm![8]

[1] Idhujtarët dhe përgënjeshtruesit e tu, o Muhamed, të nxitojnë ty që t’u sjellësh dënimin me të cilin i kërcënon nëse nuk besojnë, para se t’u sjellësh të mirën dhe sigurinë nëse ata besojnë; ndonëse në të kaluarën para tyre kanë shembuj popuj të shumtë që janë ndëshkuar për shkak të mohimit dhe përgënjeshtrimit të tyre, dhe për shkak se kërkonin të njëjtën gjë si këta nga profetët e tyre, e megjithatë nuk marrin mësim. Zoti yt, o Muhamed, është vërtet plot falje për gjynahet e atyre që pendohen tek Ai për padrejtësinë që i bëjnë vetvetes me shkeljen e ligjeve të Zotit të tyre, por me të vërtetë, Ai është gjithashtu i ashpër në ndëshkimin e atyre që vazhdojnë me këmbëngulje në mosbesim, humbje dhe shkelje të urdhrave të Tij.

[2] Mohuesit dhe idhutjarët e Mekes thoshin: “Përse të mos i jetë zbritur Muhamedit ndonjë provë e prekshme nga Zoti i tij, si provat që i zbritën Musait apo të dërguarve të tjerë?” Por kjo nuk është në dorën tënde, o Muhamed, sepse ti je vetëm i dërguar nga Zoti yt për t’i komunikuar atyre shpalljen e Tij dhe për t’i paralajmëruar e frikësuar nga dënimi i Allahut, nëse ata vazhdojnë në mohimin e Allahut dhe idhujtarinë e tyre; dhe po kështu si je dërguar ti te populli yt, kemi dërguar të dërguar në çdo popull, që t’i drejtojnë ata te Allahu dhe rruga e drejtë.

[3] Allahu i Madhëruar e di mirë se çfarë mbart çdo femër në barkun e saj, sepse Ai e ka krijuar, qoftë mashkull apo femër, nëse do të jetë nga të lumturit apo të mjerët, apo çdo cilësi të tij në detaje; dhe Ai e di çfarë pakësohet në mitra me dështim apo lindje para kohe, apo me shtim të numrit të embrioneve në të njëjtën barrë apo shtim të kohës së lindjes mbi nëntë muaj; ose çfarë pakësohet nga gjaku i periodave për ushqyerjen e fetusit, dhe çfarë shtohet në masën e fetusit nga ushqyerja prej gjakut, etj. Gjithçka tek Allahu është e përcaktuar me ekzaktësi dhe asgjë nuk mund ta kalojë kufirin dhe masën e caktuar nga Allahu.

[4] Allahu di gjithçka të fshehtë dhe të padukshme për ju dhe sytë tuaj, dhe di gjithçka të dukshme që ju mund ta shihni, dhe Atij nuk i shpëton asgjë pa e ditur, sepse gjithçka është krijim i Tij dhe nën kujdesin e Tij. Allahu është i Madhi, dhe gjithçka tjetër që ka krijuar është e vogël para Tij, e Ai është i Madhi në Hyjninë e Tij, emrat e Tij dhe cilësitë e Tij; i Lartësuari mbi të gjitha krijesat e Tij, me Hyjninë e Tij, emrat e Tij dhe cilësitë e Tij.

[5] Në dijen e Allahut është njësoj: si ai që e mban të fshehtë fjalën e tij edhe ai që e thotë hapur atë; dhe si ai që fshihet në errësirën e natës për të kryer veprat e tij të këqija edhe ai që i bën ato hapur në mes të ditës. Asgjë nuk mund t’i fshihet Allahut dhe asgjë nuk i shpëton Atij, sepse tek Ai janë njësoj: si ato që i fshehin krijesat e Tij, edhe ato që ata i shfaqin, sepse Atij nuk mund t’i fshihet asgjë.

[6] Njeriu ka shoqërues prej engjëjve që ndërrohen vazhdimisht gjatë ditës dhe natës, që i qëndrojnë nga para dhe nga mbrapa, duke e ruajtur atë me urdhrin e Allahut nga urdhri i Allahut: nga ato që nuk ka caktuar Allahu ta prekin prej të këqiave, aksidenteve, djajve e xhinëve; si dhe engjëj që regjistrojnë veprat e tij të mira dhe qëndrojnë në të djathtë të tij, dhe engjëj që regjistrojnë veprat e këqia dhe qëndrojnë në të majtë të tij; pra çdo njeri shoqërohet nga katër engjëj gjatë ditës dhe katër engjëj të tjerë gjatë natës: dy që e ruajnë nga para dhe nga mbrapa nga çdo e keqe që nuk është caktuar ta prekë, dhe dy nga e djathta dhe e majta që shkruajnë veprat e tij. [Ibën Kethiri]. Sigurisht që engjëjt e ruajnë njeriun me urdhrin e Allahut dhe nga urdhri i Allahut që Allahu nuk ka caktuar t’i prekë, përndryshe, kur vjen caktimi i Allahut, atëherë engjëjt largohen dhe e lejojnë që të ndodhë, ashtu si janë urdhëruar nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e mirë dhe begatinë që gëzon një popull, deri sa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete, duke kaluar nga besimi në mosbesim, nga bindja ndaj Allahut në mëkate dhe nga falënderimi i Allahut për mirësitë e Tij në mohim dhe mosmirënjohje; atëherë edhe Allahu e ndryshon gjendjen e tyre të mirë duke jua hequr të mirat; dhe anasjelltas: nëse një popull e ndryshon gjendjen e vet për mirë, edhe Allahu e ndryshon gjendjen e tyre duke i dhënë begati e mirësi. Dhe kur Allahu dëshiron ndëshkimin e një populli, askush dhe asgjë nuk mund ta pengojë atë ndëshkim, dhe përveç Allahut, ata nuk kanë asnjë mbrojtës dhe ndihmës që t’u largojë të keqen dhe t’u sjellë të mirën.

[7] Është Allahu Ai që ju bën të shihni një nga provat e Tij: vetëtimën në mes të reve, nga e cila ju keni frikë se mos ju zbret ndonjë rrufe dhe ju vret apo ju djeg, por që njëkohësisht keni shpresë dhe gëzoheni sepse bashkë me vetëtimën do të zbresë shiu i begatë për ju, të mbjellat dhe bagëtitë tuaja; dhe është Allahu Ai që me fuqinë e Tij krijon retë e rënda të ngarkuara me shumë shi për të mirën tuaj.

[8] Bubullima madhëron Allahun me lavdërim ndaj Tij, për të treguar se është e nënshtruar ndaj Tij dhe e madhëron e lartëson Atë nga gjithçka që i mveshin Atij idhujtarët; dhe po kështu bëjnë edhe engjëjt, madhërojnë dhe falënderojnë Allahun me frikë e respekt ndaj Tij. Gjatë vetëtimës dhe bubullimës, Allahu zbret edhe rrufe, me të cilat godet kë të dojë nga krijesat e Tij, e megjithatë, mohuesit dhe idhujtarët diskutojnë rreth ekzistencës së Allahut apo fuqisë së Tij për të ringjallur krijesat në botën tjetër, ndërkohë që Allahu është aq i Fuqishëm në forcë, goditje e ndëshkim të atyre që mohojnë dhe e kundërshtojnë Atë!

-249-


  1. Vetëm Atij i takon lutja e vërtetë. Kurse ato (idhujt) që ata (idhujtarët) lusin përveç Tij, nuk u përgjigjen atyre me asgjë, përveç si ai që i shtrin duart drejt ujit (nga larg), për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e mohuesve është krejtësisht në humbje.[1]
  2. Vetëm Allahut i përulet në sexhde çdokush që gjendet në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir, dhe po ashtu hijet e tyre (përulen), paradite dhe pasdite.[2]
  3. Thuaju: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” Thuaj: “Allahu!” Thuaju: “A keni marrë në vend të Tij mbrojtës, që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaju: “A janë të barabartë i verbëri dhe ai që sheh? Apo, a janë të barabarta errësirat dhe drita? Apo mos i shoqërojnë Allahut ortakë, të cilët kanë krijuar si krijimi i Tij, kështu që u duken krijimet të njëjta?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i gjithçkaje, dhe Ai është Një, Gjunjëzuesi.”[3]
  4. Ai zbret ujë (shi) nga qielli, nga i cili rrjedhin lumenjtë, secili sipas madhësisë së vet, dhe rrjedha mbart shkumë mbi vete. Edhe nga ato (metalet) që ata (njerëzit) shkrijnë në zjarr për të bërë stoli ose mjete, del një shkumë (zgjyrë) e ngjashme me të (lumit). Kështu e jep Allahu shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës: Sa për shkumën, ajo zhduket dhe hidhet, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve mbetet në tokë. Kështu i jep Allahu shembujt.[4]
  5. Ata që iu përgjigjën Zotit të tyre, do të kenë shpërblimin më të mirë (Xhenetin). Ndërsa ata që nuk iu përgjigjën Atij – sikur gjithçka që gjendet në Tokë të ishte e tyre, madje edhe një herë aq, ata do ta sakrifikonin atë. Të tillët do të përballen me llogari të rëndë dhe streha e tyre do të jetë Xhehenemi; sa shtrat i keq që është ai![5]

[1] Vetëm Allahut i takon lutja e vërtetë, lutja e Njësimit: La ilahe il-la Allah; kështu që nuk duhet të adhurohet dhe të lutet askush dhe asgjë tjetër përveç Tij. Kurse idhujt që idhujtarët i lusin e i adhurojnë në vend të Allahut, nuk i përgjigjen lutjes së tyre me asgjë, dhe gjendja e tyre është si një person i etur për ujë, i cili i shtrin duart e tij drejt ujit nga larg, duke pritur që t’i vijë në gojë, por ai kurrë nuk do të vijë në gojën e tij vetvetiu, sepse uji është një send që nuk e dëgjon njeriun dhe nuk i përgjigjet atij edhe sikur ta dëgjonte, madje edhe sikur të donte t’i përgjigjej, nuk do të mundej, sepse është diçka jashtë kufijve të tij; po kështu edhe idhujt, nuk mund t’i përgjigjen atyre që i lusin ata, edhe sikur të kishin ndjenjë e të dëshironin t’u përgjigjeshin, sepse nuk kanë fuqi dhe as zgjedhje. Pra, lutja e mohuesve të Allahut, të cilën ata ia drejtojnë idhujve të tyre, është krejtësisht në humbje dhe e kotë, sepse ata nuk ia drejtojnë lutjen e tyre Atij që duhet t’ia drejtojnë dhe që është i Vetmi që mund t’u përgjigjet.

[2] Vetëm Allahut i përulen në sexhde (me kokën në tokë) të nënshtruar, çdokush që gjendet në qiej – prej engjëjve, dhe në tokë – prej besimtarëve, të cilët i përulen Atij me hir e dëshirë, kurse mosbesimtarët dhe hipokritët i përulen Atij me pahir sepse gjendja dhe natyra e tyre është krijuar e tillë, dhe po ashtu hijet e të gjithë atyre i përulen Allahut paradite e mbasdite, duke qenë vazhdimisht të shtrira përtokë dhe të drejtuara andej nga do Allah, në fillim të ditës dhe në fund të saj, me lëvizjen e diellit.

[3] Thuaju idhujtarëve, o i Dërguari i Allahut: “Kush është Zoti, Krijuesi dhe Mbajtësi i qiejve dhe i Tokës?” Pastaj thuaj: “Allahu është Krijuesi dhe Mbajtësi i qiejve dhe i Tokës, dhe ju e dini, e pranoni dhe e pohoni këtë.” Pastaj tërhiqu vërejtjen atyre që t’i përmbahen argumentit dhe ligjikës, duke u thënë: “Përderisa e dini dhe e pranoni se Allahut është Krijuesi dhe Zoti i qiejve dhe i Tokës, atëherë si adhuroni të tjerë përveç Tij, të cilët nuk kanë fuqi e mundësi t’i sjellin dobi apo dëm as vetvetes, e jo më juve, dhe hidhni pas shpine adhurimin e Zotit tuaj që ju ka krijuar e ju mban në jetë?!” Pastaj vazhdo me argumente logjike, duke u thënë: “A janë të barabartë i verbëri (mosbesimtari) dhe ai që sheh (besimtari)? Apo, a janë të barabarta errësirat (mosbesimi) dhe drita (besimi)? Apo mos vallë i shoqëroni Allahut ortakë që kanë krijuar si krijimi i Allahut, kështu që ju duken krijimet e tyre të ngjashme me ato të Allahut, dhe menduat se ata idhuj meritojnë të adhurohen?!” Thuaju atyre, o Muhamed: “Allahu është Krijuesi i gjithçkaje nga asgjëja, dhe Ai është Një e i Pashoq, Gjunjëzuesi i krijesave të Tij, i Cili meriton të gjithë adhurimin dhe madhërimin, dhe jo idhujt dhe zotat që nuk mund të sjellin as dobi as dëm, as vetvetes as të tjerëve.”

[4] Allahu zbret shi nga qielli, me të cilin mbushen lumenjtë dhe rrjedhin nëpër shtratin e tyre dhe nëpër lugina, secili sipas madhësisë së vet, dhe rrjedha e lumenjve mbart shkumë dhe mbeturina të pavlera mbi vete; po kështu edhe kur njerëzit shkrijnë metalet në zjarr me qëllim që të bëjnë stoli (nga ari ose argjendi) apo mjete pune (nga metale të ndryshme), nga shkrirja e metaleve del një shkumë e ngjashme me shkumën e lumit, që quhet zgjyrë, dhe që është e pavlerë; kështu i jep Allahu shembujt e të vërtetës dhe të së pavërtetës: E pavërteta është si shkuma dhe zgjyra që zhduken dhe hidhen, sepse nuk ka dobi prej tyre, kurse e vërteta është si uji i kulluar dhe metalet e pastra, të cilat qëndrojnë në tokë për t’i shërbyer njerëzve. Kështu i jep Allahu shembujt për njerëzit, që të sqarohet dhe të kuptohet e vërteta nga e pavërteta dhe udhëzimi nga humbja.

[5] Besimtarët që iu përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre në këtë botë, iu bindën Atij dhe të Dërguarit të Tij, do të kenë shpërblimin më të mirë në botën tjetër, Xhenetin; ndërsa ata që iu përgjigjën thirrjes së Zotit të tyre, dhe që nuk iu bindën Atij dhe të Dërguarit e Tij, por përkundrazi, e mohuan Atë dhe e përgënjeshtruan të Dërguarin e Tij, do të kenë ndëshkimin më të rëndë në zjarrin e Xhehenemit – ku edhe sikur të zotëronin gjithçka që gjendet në Tokë prej pasurive, madhe edhe një herë aq, ata do e sakrifikonin atë për të shpëtuar nga zjarri, por megjithatë nuk do iu pranohej. Ata do të merren në llogari dhe do të dënohen për çdo të madhe e të vogël që kanë bërë në këtë botë, pa iu falur asgjë, dhe në fund, vendi dhe streha e tyre e përhershme do të jetë Xhehenemi, i cili do të jetë edhe shtrati i tyre; e ai është shtrati më i keq!

-250-


  1. A është ai që e di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)? Por, ata që kuptojnë janë vetëm njerëzit me arsye;[1]
  2. Janë ata që i përmbahen besëlidhjes së Allahut dhe nuk e thyejnë zotimin;[2]
  3. dhe ata që mbajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të mbahen, kanë frikë Zotin e tyre dhe i frikësohen llogarisë së rëndë;[3]
  4. dhe ata që bëjnë durim me qëllim që të arrijnë kënaqësinë e Zotit të tyre, kryejnë namazin, japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që Ne u kemi dhënë dhe, të keqen e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shtëpia e përfundimit të mirë:[4]
  5. Kopshtet e Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe kush besoi prej prindërve të tyre, bashkëshorteve dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo portë (duke u thënë):[5]
  6. – “Paqja qoftë mbi ju, për durimin që treguat! Sa e mirë është shtëpia e përfundimit të mirë!”[6]
  7. Kurse ata që e shkelin besëlidhjen e Allahut, pas zotimit për të, që këpusin lidhjet që Allahu ka urdhëruar të mbahen dhe bëjnë prishje në Tokë – për ta është mallkimi dhe ata do të kenë shtëpinë e përfundimit të keq![7]
  8. Allahu ia zgjeron furnizimin kujt të dojë dhe ia kufizon atë kujt të dojë. Ata (mohuesit) gëzohen me jetën e kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm pak kënaqësi kalimtare.[8]
  9. Ata që mohuan thonë: “Përse nuk i është zbritur ndonjë provë nga Zoti i tij?” Thuaj (o Muhamed): “Me të vërtetë, Allahu lë në humbje kë të dojë dhe udhëzon drejt Tij këdo që i kthehet Atij[9]
  10. ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut. Vërtet, me përmendjen e Allahut zemrat qetësohen!”[10]

[1] A është ai që e di se ajo që të është shpallur ty, o Muhamed, nga Allahu, është e vërteta dhe e beson atë, njësoj me atë të verbërin që nuk e sheh të vërtetën dhe nuk e beson atë? Por, ata që kuptojnë e marrin mësim nga provat e Allahut janë vetëm njerëzit me arsye dhe logjikë të shëndoshë;

[2] Ata që kuptojnë e marrin mësim nga provat e Allahut janë njerëzit me arsye dhe logjikë të shëndoshë, të cilët i përmbahen besës së Allahut me të cilën Ai i ka urdhëruar, dhe nuk e thyejnë premtimin e tyre me lënie të besimit apo urdhrave të Allahut;

[3] Ata që kuptojnë dhe që kanë arsye janë ata të cilët i mbajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të mbahen, siç janë lidhjet familjare dhe lidhjet me nevojtarët, dhe që kanë frikë Zotin e tyre dhe llogarinë e rëndë për mëkatet e tyre, se mos nuk u falen, kështu që vazhdojnë me përpjekje për të bërë më të mirën në bindjen ndaj Allahut dhe në ruajtjen e kufijve dhe ligjeve të Tij;

[4] Janë ata që durojnë për Hir të Zotit të tyre kur i kap ndonjë e keqe, durojnë në kryerjen e adhurimeve dhe urdhrave të Allahut dhe durojnë përballë ndalesave të Tij, duke mos i bërë ato megjithëse vetja ua kërkon; dhe që kryejnë rregullisht namazin dhe japin zekat e lëmoshë nga pasuria e tyre që u ka dhënë Allahu, fshehurazi apo haptazi; dhe që të keqen që u bëjnë njerëzit e kthejnë me të mirë, dhe po ashtu, veprën e keqe apo gjynahun e pasojnë me vepër të mirë, e cila e fshin të keqen. Të tillët do të kenë përfundimin e mirë në botën tjetër: xhenetin, kopshtet e Adnit.

[5] Shtëpia e përfundimit të mitë është xheneti i Adnit, në kopshtet e të cilit do të qëndrojnë përgjithmonë, dhe atje do u bashkohen edhe ata që besuan Allahun dhe vepruan mirë prej prindërve të tyre, bashkëshorteve dhe pasardhësve të tyre, megjithëse me veprat e tyre nuk mund ta arrinin atë gradë, por Allahu do i bashkojë me atë që arrin gradën më të lartë prej tyre. Menjeherë sa ata të hyjnë në Xhenetin e Adnit, engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo portë e Adnit për t’i përshendetur dhe uruar për fitoren, duke u thënë:

[6] Engjëjt do t’u thonë banorëve të xhenetit të Adnit: «Paqja qoftë mbi ju! Shpëtuat nga çdo e keqe dhe tani jeni të sigurt për shkak të durimit që treguat në dynja duke iu bindur Allahut. Sa i mirë është Xheneti, shtëpia e përfundimit të mirë!”

[7] Kurse të këqinjtë, banorët e Zjarrit, kanë cilësitë e kundërta të cilësive të besimtarëve; ata e shkelin besëlidhjen e Allahut pas zotimit për të, duke mos adhuruar vetëm Allahun por duke i shoqëruar Atij ortak në adhurim dhe duke përgënjeshtruar të Dërguarin e Tij; ata i këpusin lidhjet familjare që Allahu ka urdhëruar të mbahen dhe bëjnë prishje në Tokë me mohim të Allahut dhe mëkate. Të tillët kanë mallkimin dhe largimin nga mëshira e Allahut, dhe shtëpia e tyre e përhershme në botën tjetër është ajo e përfundimit të keq: zjarri i Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë dhe nuk do të dalin kurrë.

[8] Allahu ia zgjeron dhe ia shton furnizimin me bollëk kujt të dojë në këtë botë, dhe po ashtu ia kufizon furnizimin kujt të dojë, me urtësinë e Tij absolute, duke e vendosur gjithçka në vendin e vet dhe duke i dhënë secilit atë që i përshtatet. Mohuesit gëzohen dhe mburren me pasurinë dhe furnizimin e bollshëm që i jep Allahu dikujt prej tyre në këtë botë, por harrojnë se ajo që u është dhënë atyre në këtë botë në krahasim me atë që do i jepet besimtarëve në botën tjetër është vetëm një kënaqësi shumë e vogël dhe e përkohshme, që mbaron shumë shpejt, kurse ajo që do i jepet besimtarëve është e madhe dhe e përhershme.

[9] Mohuesit dhe idhujtarët e Mekës thonin për Muhamedin (Paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të!): “Përse të mos i zbritet ndonjë provë dhe mrekulli e prekshme dhe e dukshme, si ajo e Musait apo Isait?!” Thuaju atyre, o Muhamed: “Allahu lë në humbje kë të dojë prej kryeneçëve ndaj udhëzimit, të cilëve nuk i bën dobi asnjë lloj prove apo mrekullie, dhe Allahu udhëzon drejt Tij dhe në fenë e Tij këdo që kthehet tek Ai me pendim dhe kërkon të arrijë kënaqësinë e Tij, e ata janë – (fjalia vazhdon në ajetin në vijim).

[10] Allahu udhëzon drejt Tij ata që kthehen tek Ai: ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen dhe Njësimin e Allahut. Vërtet, me përmendjen dhe bindjen ndaj Allahut zemrat e besimtarëve qetësohen dhe ndjejnë siguri.

-251-


  1. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të kenë lumturi dhe strehim të mrekullueshëm![1]
  2. Kështu, Ne të dërguam ty (Muhamed) tek një popull, para të cilit kanë kaluar shumë popuj, që t’u lexosh atyre atë që të kemi shpallur, ndonëse ata e mohojnë të Gjithëmëshirshmin. Thuaj: “Ai është Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij; Atij i mbështetem dhe tek Ai është kthimi!”[2]
  3. Sikur të kishte një Kuran me të cilin të lëviznin malet ose të çahej toka, ose të flisnin të vdekurit! Por e gjithë çështja i takon vetëm Allahut. A nuk e kanë kuptuar ende ata që besojnë se sikur të donte Allahu, do t’i kishte udhëzuar të gjithë njerëzit?! Ata që mohuan, për shkak të asaj që bëjnë, do të vazhdojnë të goditen nga katastrofat, ose do të bjenë pranë shtëpive të tyre, derisa të vijë premtimi i Allahut. Me të vërtetë, Allahu nuk e thyen premtimin e Tij.[3]
  4. Edhe me të dërguar të tjerë para teje janë tallur, por Unë i afatizova ata që mohuan, pastaj i kapa ata; dhe sa i tmerrshëm që ishte ndëshkimi Im![4]
  5. A ka të tjerë si Ai që është mbikëqyrës për çdokënd se çfarë punon?! E megjithatë, ata i shoqërojnë Allahut ortakë (në adhurim)? Thuaju: “Më tregoni emrat e tyre (idhujve)! A mos po i tregoni Atij për ndonjë gjë që Ai nuk e di në Tokë, apo vetëm emërtoni (idhuj) me fjalë boshe?» Përkundrazi, atyre që mohuan u është bërë tërheqëse gënjeshtra e tyre dhe janë larguar nga rruga e drejtë. E atë që Allahu e lë në humbje – për të nuk ka udhëzues.[5]
  6. Për ta do të ketë dënim në jetën e kësaj bote, por dënimi në botën tjetër është më i ashpër, dhe për ta nuk do të ketë asnjë mbrojtës ndaj Allahut.[6]

[1] Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të kenë lumturi e çdo të mirë, si dhe strehim të mrekullueshëm në xhenetin e Allahut dhe kënaqësinë e Allahut.

[2] Ashtu si kemi dërguar të dërguarit e tjerë para teje tek popujt e tyre, po ashtu të kemi dërguar edhe ty, o Muhamed, tek populli yt, që t’u lexosh atyre Kuranin që të shpallet nga Ne, ndërkohë që populli yt e mohon Njëshmërinë e të Gjithmëshirshmit. Por ti thuaju atyre: “I Gjithëmshirshmi, të Cilin ju nuk e adhuruat ashtu si i takon, është Zoti im, dhe përveç Tij nuk ka asnjë të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet; unë i mbështetem dhe i besoj vetëm Atij dhe tek Ai është kthimi im me pendim.

[3] Sikur të kishte ndonjë Kuran i zbritur nga Allahu, me leximin e të cilit të lëviznin malet dhe të shkuleshin nga vendet e tyre, ose të çahej toka dhe prej saj të dilnin lumenj e kopshte, ose të ngjallen të vdekurit e të flasin – ashtu si kërkuan idhujtarët e Mekes nga ti, o Muhamed – do të kishte qenë ky Kuran dhe asnjë libër tjetër qiellor, por megjithatë ata përsëri nuk do të besonin! Por, e gjithë çështja i takon vetëm Allahut në zbritjen e mrekullive dhe provave të Tij, sipas dijes dhe urtësisë së Tij dhe jo sipas tekave të idhujtarëve e mohuesve, të cilët gjithësesi nuk do të besonin. A nuk e kanë mësuar ende besimtarët se sikur të donte Allahu, do të kishin besuar të gjithë njerëzit e Tokës pa asnjë lloj prove apo mrekullie?! Por, mohuesit do të vazhdojnë të goditen nga katastrofat e fatkeqësitë, ose ato do të bjenë pranë shtëpive të tyre, për shkak të veprave të tyre të këqia: mohimit e idhujtarisë, vrasjes e luftimit të besimtarëve, dhe mëkateve të tyre ndaj Allahut; derisa të vijë premtimi i Allahut për besimtarët me fitoren kundër mohuesve e idhujtarëve. Vërtet, Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e Tij.

[4] Nëse këta idhujtarë tallen me ty dhe thirrjen tënde, o Muhamed, atëherë mos u mërzit dhe mos u trishto, se edhe me të dërguar të tjerë para teje, popujt e tyre janë tallur me ta, por Unë i afatizoja mohuesit dhe përgënjeshtruesit e të dërguarve, pastaj i kapja ata befasisht me dënim të tmerrshëm; veç sikur ta shihje sa i tmerrshëm ishte ndëshimi Im ndaj mohuesve!

[5] A është Allahu, i Përhershmi që nuk mbaron dhe nuk vdes kurrë, Ai që mban, furnizon e mbikëqyr çdo njeri e shpirt se çfarë punon, dhe që nuk i shpëton asgjë pa e ditur, kudo që të ndodhet – a është Allahu njësoj me ata që vdesin, zhduken, prishen, mbarojnë, që nuk dëgjojnë, nuk shikojnë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe që nuk mund të ruajnë veten e vet nga ndonjë e keqe apo t’i sjellin ndonjë të keqe apo të mirë adhuruesve të tyre; pra, kush meriton te adhurohet: Allahu apo ndokush apo ndonjë gjë tjetër?! Por megjithatë, idhujtarët i bëjnë Allahut ortak duke adhuruar krijesa të tjera, me injorancën e tyre. Thuaju atyre, o Muhamed: «Më tregoni emrat dhe cilësitë e atyre idhujve që ju i adhuroni në vend të Allahut!» – por ata nuk do të gjejnë tek idhujt e tyre asnjë cilësi që u jep të drejtën e adhurimit. «A mos po i thoni Allahut se në Tokën e Tij paska ortakë të Tij që Ai nuk i di dhe nuk i njeh, apo emrat që ju i vendosni atyre idhujve janë fjalë boshe që nuk kanë asnjë vërtetësi apo kuptim? Përkundrazi, mohuesve u është bërë e hijshme e kota, gënjeshtra ndaj Allahut, mohimi dhe idhujtaria e tyre, dhe Allahu i ka larguar ata nga rruga e drejtë për shkak të mohimit të tyre. Dhe padyshim, se për atë, të cilit Allahu nuk i ka dhënë sukses të udhëzohet, nuk do të ketë askush që ta udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të vërtetë.

[6] Mohuesit dhe idhujtarët do të kenë dënim në jetën e kësaj bote, nga Allahu dhe nga besimtarët, por dënimi që do të kenë në botën tjetër është më i ashpër, më i rëndë dhe i përhershëm, dhe për ta nuk do të ketë asnjë mbrojtës që t’i mbrojë nga dënimi i Allahut.

-252-


  1. Xheneti që u është premtuar të devotshmëve është i tillë që, nëpër të rrjedhin lumenj; ushqimet e tij janë të përhershme dhe po ashtu hija e tij. Ky është përfundimi i atyre që u ruajtën, kurse përfundimi i mohuesve është zjarri.[1]
  2. Ata, të cilëve u kemi zbritur Librin, gëzohen me atë që të është shpallur ty, por ka disa prej grupeve që e mohojnë një pjesë të tij. Thuaj: “Unë jam urdhëruar të adhuroj vetëm Allahun dhe të mos i shoqëroj Atij asgjë (në adhurim). Tek Ai ftoj dhe tek Ai është kthimi im.”[2]
  3. Kështu, Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) legjislacion në gjuhën arabe. Nëse do të ndiqje dëshirat e tyre, pas dijes që të ka ardhur, ti nuk do të kishe asnjë ndihmës apo mbrojtës ndaj Allahut.[3]
  4. Ne kemi dërguar edhe të dërguar të tjerë para teje (o Muhamed), të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës, dhe asnjë i dërguar nuk mund të sillte ndonjë mrekulli, përveçse me lejen e Allahut. Çdo afat ka cakun e vet të shkruar.[4]
  5. Allahu fshin çfarë të dojë dhe ngulit çfarë të dojë; dhe tek Ai është baza e Librit.[5]
  6. Edhe në qoftë se Ne të tregojmë diçka nga ai (dënim) që u premtojmë atyre, apo ta marrim shpirtin (para se t’i dënojmë), detyra jote është vetëm komunikimi i Shpalljes, kurse llogaria është te Ne.[6]
  7. A nuk e shohin ata se Ne e zvogëlojmë Tokën nga skajet e saj? Allahu është Ai që gjykon, dhe askush nuk mund ta kthejë gjykimin e Tij; Ai është i shpejtë në llogari.[7]
  8. Edhe ata që kanë qenë para tyre kanë bërë dredhi, por e gjithë dredhia është e Allahut. Ai e di çfarë vepron çdo person, dhe mohuesit do ta mësojnë se për kë do të jetë shtëpia e përfundimit të mirë.[8]

[1] Përshkrimi i Xhenetit që Allahu i ka premtuar të devotshmëve, atyre që kanë frikë Allahun dhe i ruhen ndëshkimit të Tij duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, është i tillë: nën kështjellat dhe pemët e tij rrjedhin lumenj, frutat dhe ushqimet e tij janë të përhershme, dhe po ashtu hija e tij është e përhershme: as nuk shtohet as nuk pakësohet, sepse nuk do të ketë Diell. Ky është përfundimi i atyre që i ruhen Allahut dhe nuk i shkelin kufijtë e Tij në këtë botë, kurse përfundimi i mohuesve të Allahut është zjarri i Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[2] Ata, të cilëve u ishte zbritur Libër qiellor prej hebrenjve dhe të krishterëve, të cilët besuan Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), siç ishte Abdullah ibën Selam dhe Nexhashi, gëzohen me Kuranin që i shpallej Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) për shkak të përputhjes së tij me atë që kishin ata prej Librave të mëparshëm, kurse disa nga grupet armike të besimtarëve, mohues e idhujtar, e mohojnë një pjesë të Kuranit. Thuaju atyre, o Muhamed: «Allahu më ka urdhëruar që të adhuroj vetëm Atë dhe të mos i shoqëroj asgjë në adhurim. Tek Allahu dhe adhurimi vetëm i Tij i ftoj njerëzit, dhe tek Allahu është kthimi dhe strehimi im.»

[3] Ashtu si zbritëm Librat e mëparshëm në gjuhën e profetëve që ua shpallëm ato, po kështu ta zbritëm këtë Kuran ty, o Muhamed, në gjuhën arabe, për të qenë legjislacion me të cilin gjykohet mes njerëzve; dhe zgjedhja e gjuhës arabe për zbritjen e Kuranit në këtë gjuhë, nuk është e paqëllimshme, por ajo është gjuha më kuptimplotë dhe më e qartë nga të gjitha gjuhët e tjera; prandaj ndiq atë që të shpallet në Kuran dhe jo dëshirat e idhujtarëve që nuk dinë, sepse nëse do të ndiqje dëshirat e idhujtarëve, pas dijes së vërtetë që të ka ardhur nga Allahu, atëherë nuk do të kishe asnjë ndihmës apo mbrojtës që të mbronte nga Allahu dhe dënimi i Tij. – Sigurisht që Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte i ruajtur nga Allahu që të mund të bënte diçka të tillë, por Allahu i kujton atij mirësinë që ka derdhur mbi të, dhe me qëllim që populli i tij të marrë mësim.

[4] Ne kemi dërguar edhe të dërguar të tjerë para teje, o Muhamed, dhe atyre u kemi dhënë gra e fëmijë, ashtu si edhe ty, kështu që përse çuditen idhujtarët dhe përse të qortojnë pse ti martohesh, kur ata e dinë se edhe të dërguarit para teje janë martuar dhe kanë pasur fëmijë – përveç sepse kanë qëllime të këqia dhe dëshira të kota – dhe nëse kërkojnë ndonjë provë dhe mrekulli prej teje, ti nuk ke asgjë në dorë prej mrekullive, ashtu si edhe të dërguarit e tjerë që nuk kanë pasur në dorë dhe as nuk mundeshin të sillnin ndonjë mrekulli, veçse me lejen e Allahut dhe në kohën kur do Allahu, sepse çdo çështje ka afatin dhe cakun e vet të shkruar tek Allahu, të cilin nuk mund ta paraprijë apo ta vonojë.

[5] Allahu fshin çfarë të dojë prej caktimeve, afateve dhe ligjeve, dhe ngulit e forcon çfarë të dojë prej tyre, me urtësinë dhe dijen e Tij absolute, dhe tek Ai është baza e Librit, el Leuhu el Mahfudh, i cili nuk ndryshon dhe asgjë nuk fshihet prej tij, sepse Allahu ka urdhëruar lapsin që ta shkruajë atë para se të krijojë qiejt dhe Tokën, duke shënuar në të gjithçka do të ndodhë në krijimin e Tij, me dijen e Tij absolute dhe të pagabueshme, kështu që baza e Librit nuk mund të ndryshojë.

[6] Edhe nëse Ne bëjmë që të shohësh diçka nga dënimi me të cilin i kërcënojmë idhujtarët, ose ta marrim shpirtin para se ti, o Muhamed, t’i shohësh ata t’u vijë dënimi, gjithësesi, detyra jote është që t’i bindesh Zotit tënd dhe të komunikosh Shpalljen e Tij, dhe jo të kërkosh udhëzimin apo humbjen e tyre, kurse llogaria e tyre është detyra Jonë, dhe tek Ne është shpërblimi apo ndëshkimi për veprat e secilit.

[7] A nuk e shohin mohuesit dhe idhujtarët e Mekes se ne po e zvogëlojmë tokën nga skajet e saj, me fitoren e besimtarëve mbi ta dhe çlirimin e tokave të tyre dhe sundimin e tyre; a nuk kanë frikë se së shpejti do ju vijë rradha edhe vetë tokave të tyre? – Pra, këtu mund të jetë për qëllim çlirimi i tokave të idhujtarëve dhe mohuesve nga muslimanët në fillim të Islamit dhe më pas, ose edhe vdekja e dijetarëve të cilët kanë rol të madh në Tokë dhe me vdekjen e tyre, Toka zvogëlohet gjithnjë e më shumë deri sa të flasin njerëzit pa dije dhe të përhapet injoranca, e më pas të ndodhë kiameti, siç e kanë komentuar dijetarët e mëhershëm; por ajeti përmban gjithashtu kuptim shkencor dhe fizik të prekshëm, që ka të bëjë me zvogëlimin e Tokës nga skajet apo anët e saj, gjë që e forcon edhe ajeti 44 i sures El Enbija, dhe kjo është vërtet një provë dhe argument për vërtetësinë e Kuranit dhe të Muhamedit, si dhe për Madhështinë e Allahut të Lartësuar. – Allahu është Ai që gjykon me gjykimin e Tij fetar, fizik dhe të shpërlimit apo ndëshkimit, dhe askush nuk mund ta kthejë gjykimin e Tij, sepse gjykimi i Tij është i drejtë, i plotë dhe i urtë; dhe Allahu është i shpejtë në llogari, kështu që mohuesit të mos e shpejtojnë ardhjen e dënimit, sepse çdo gjë që ka për të ardhur, është afër.

[8] Edhe mohuesit dhe idhujtarët që kanë qenë para këtyre që të përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, kanë ngritur kurthe e dredhi kundër të dërguarve të Allahut tek ata, ashtu si po bëjnë edhe këta me ty, por e gjithë dredhia është e Allahut, sepse Ai ka në dorë të gjitha shkaqet e dredhisë dhe përfundimet, dhe Ai i prish planet e mohuesve dhe ua kthen ato në pendim e humbje kundër vetes së tyre. Allahu e di mirë se çfarë vepron e fiton çdo person dhe çdo individ, dhe do e shpërblejë secilin sipas veprës që ka bërë; atëherë, mohuesit dhe idhujtarët do e mësojnë mirë se kujt do i takojë shtëpia e përfundimit të mirë pas kësaj bote, Xheneti i Allahut. Sigurisht që do i takojë besimtarëve, pasuesve të të dërguarve të Allahut.

-253-


  1. Ata që mohuan thonë: “Ti nuk je i dërguar!” Thuaju (o Muhamed!): “Mjafton Allahu për Dëshmitar mes meje dhe jush, si dhe ata që kanë njohuri nga Libri.”[1]

[1] Ata që mohuan Allahun i thonë të dërguarit të Allahut, Muhamedit: “Ti nuk je i dërguar nga Allahu!” Thuaju atyre, o Muhamed: “Mjafton Allahu si Dëshmitar për të vërtetën e asaj që them unë dhe gënjeshtrën e asaj që thoni ju, dhe mjafton gjithashtu dëshmia e atyre që kanë njohuri nga Libri i zbritur nga Allahu më parë – Teurati dhe Inxhili -, prej hebrenjve dhe të krishterëve, të cilët më besuan mua dhe atë që më është shpallur nga Allahu, dhe të cilët e pasuan të vërtetën dhe e dëshmuan atë, pa e fshehur.

-254-