SURJA “HUD”
(Surja Nr. 11, Mekase, 123 Ajete)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
- Elif Lam Ra.[1] Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë përsosur, pastaj janë sqaruar në detaje nga ana e Një të Urti Gjithënjohës;[2]
- Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut.[3] Vërtet, unë (Muhamedi) jam një paralajmërues dhe përgëzues nga Ai për ju;[4]
- Dhe që t’i kërkoni falje Zotit tuaj, pastaj të ktheheni tek Ai me pendim; në mënyrë që Ai t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në një afat të caktuar, dhe t’i japë çdokujt vepron mirë të mirën e tij.[5] Por, nëse ktheni shpinën, atëherë me të vërtetë, unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të Madhe.[6]
- Kthimi juaj është tek Allahu dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë![7]
- Vërtet, ata kërrusin gjokset e tyre që të fshihen nga Ai. Por sigurisht, edhe kur ata mbulohen me petkat e tyre, Ai e di se çfarë fshehin dhe çfarë shfaqin ata. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëdijshëm për atë që gjendet brenda gjokseve.[8]
[1] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab, nga të cilat përbëhet edhe Kurani. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.
[2] Ky Kuran i Madhërishëm dhe Shpallje e Ndershme, është një Libër Hyjnor, vargjet e të cilit janë përsosur në çdo pikëpamje: në rradhitje dhe ndërtim gjuhësor, saktësi, bukuri, vërtetësi, drejtësi dhe domethënie; dhe janë sqaruar në detaje, në gradën më të lartë të qartësisë nga Ai (Allahu) që është i Urtë dhe i vendos gjërat në vendin e vet me përpikmëri, dhe që është Gjithënjohës i të gjitha çështjeve dhe gjërave të dukshme dhe të padukshme, në hollësi.
[3] Vargjet e këtij Libri janë përsosur dhe sqaruar në detaje, në mënyrë që të mos adhuroni askënd dhe asgjë tjetër përveç Allahut që e ka shapllur atë.
[4] Mua më ka dërguar Allahu për të qenë paralajmërues i dënimit të Tij mbi ata që e mohojnë Allahun, adhurojnë të tjerë përveç Tij dhe nuk i binden urdhrave të Tij prej jush, o njerëz; dhe më ka dërguar gjithashtu për të qenë përgëzues me shpërblim të madh dhe Xhenet për ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i binden Atij e adhurojnë vetëm Allahun me sinqeritet dhe pa i shoqëruar askënd në adhurim.
[5] Vargjet e Kuranit janë përsosur dhe sqaruar në detaje, që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut, dhe që t’i kërkoni falje Allahut për idhujtarinë dhe mosbindjen ndaj Tij që keni bërë më parë, pastaj të ktheheni tek Ai me pendim të sinqertë, duke ju bindur Atij dhe duke adhuruar vetëm Atë me sinqeritet dhe pa i shoqëruar asnjë ortak; pra, fillimisht duhet të kërkojnë falje për mohimin dhe idhujtarinë, pastaj të kthehen tek Allahu me pendim dhe bindje ndaj Tij në vazhdim e deri në vdekje. Nëse veproni kështu, Allahu do ju japë të shijoni nga kënaqësitë e bukura të kësaj bote deri në afatin e vdekjes, dhe çdokujt që bën mirë apo jep lëmoshë nga teprica e asaj që zotëron, duke shpresuar shpërblimin e Allahut, Allahu do ia japë shpërblimin e asaj të mire në këtë botë dhe në botën tjetër veçanërisht.
[6] Nëse i ktheni shpinën këtij Libri dhe asaj në të cilën ju ftoj unë (Muhamedi), atëherë vërtet, unë kam frikë për ju dënimin e një ditë të Madhe dhe të vështirë, dënimin e ditës së Llogarisë, ku çdo njeri do të marrë shpërblimin apo dënimin që meriton, dhe askujt nuk do i bëhet padrejtësi.
[7] Kthimi juaj pas vdekjes dhe përfundimi i të gjithë juve, o njerëz, është tek Allahu, prandaj kini frikë ndëshkimin e Tij, sepse Ai është i Plotfuqishëm për t’ju ringjallur, për t’ju grumbulluar në ditën e Llogarisë dhe për t’ju dhën shpërblimin apo dënimin që meritoni.
[8] Idhujtarët dhe mohuesit, nga injoranca e tyre dhe mos-njohja e Allahut, mendonin se duke kërrusur kurrizin për të mbledhur dhe ngushtuar gjoksin, do ta fshehnin nga Allahu atë që kishin në gjokse prej besimit dhe mendimit, apo fjalëve që flisnin në fshehtësi me njëri-tjetrin; por Allahu i tregoi atyre se Atij nuk mund t’i fshihet asgjë nga çështjet e tyre të fshehta apo të shfaqura, qoftë nëse mbulohen me rrobe këmbë e kokë, apo zhvishen për t’u larë. Allahu di gjithçka mbajnë gjokset e krijesave të Tij, prej besimit apo mosbesimit, të vërtetës apo të pavërtetës, të mirës apo të keqes, dhe sigurisht që Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në qiej apo në Tokë, sepse gjithçka është krijimi i Tij, prona e Tij dhe nën Sundimin e Tij. Prandaj, bëni kujdes dhe ruhuni se mos Allahu sheh në gjokset tuaja ndërsa ju fshehni në to dyshim në diçka prej Njësimit të Allahut, urdhrave apo ndalesave të Tij, ose dyshim në diçka që lidhet me besimin në Allahun, se përndryshe do të shkatërroheni për këtë dyshim.
-221-
- Nuk ka asnjë krijesë lëvizëse në Tokë, furnizimi i së cilës të mos jetë i garantuar nga Allahu. Ai e di vendbanimin e saj dhe vendin e prehjes.[1] Të gjitha janë (të shënuara) në një Libër të qartë.[2]
- Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë – ndërsa Froni i Tij (Arshi) ndodhej mbi ujë – për t’ju vënë në provë se cili nga ju do të jetë më i mirë në vepra.[3] Dhe nëse ti (Muhamed) u thua: “Me të vërtetë, ju do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit, me siguri do të thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse magji e qartë!”[4]
- Nëse Ne ua shtyjmë ndëshkimin atyre deri në një kohë të caktuar, ata patjetër do të thonë: “Çfarë po e pengon atë?”[5] Vërtet, ditën që ai (ndëshkimi) do t’u vijë, nuk do të shmanget prej tyre, dhe ata do t’i godasë ajo me të cilën talleshin më parë.[6]
- Nëse i japim njeriut të shijojë një mëshirë nga Ne, pastaj ia heqim atë, ai bëhet shumë i dëshpëruar dhe shumë mohues.[7]
- Por nëse Ne i japim atij të shijojë mirësi pas fatkeqësisë që e kishte goditur, ai thotë: “Të këqiat ikën nga unë!”; dhe bëhet shumë i gëzuar dhe mburravec;[8]
- Me përjashtim të atyre që durojnë dhe bëjnë vepra të mira; për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh.[9]
- Ndoshta ti (Muhamed) dëshiron të lësh mënjanë diçka nga ato që të janë shpallur, dhe mund të ngushtohet gjoksi me to, sepse ata (mohuesit) mund të thonë: “Përse të mos i ishte zbritur ndonjë thesar, ose të kishte ardhur ndonjë engjëll bashkë me të?!” Por, ti (Muhamed) je vetëm paralajmërues, kurse Allahu është Kujdestar për çdo gjë.[10]
[1] Çdo gjallesë lëvizëse në Tokë e ka furnizimin dhe mjetet e jetesës të garantuara nga Allahu; dhe Allahu e di vendin ku ato jetojnë dhe qëndrojnë gjatë jetës së tyre dhe pas vdekjes së tyre, si dhe vendin ku vdesin.
[2] Gjithçka është e shënuar në detaje, në Librin e qartë el Leuhul Mahfudh, që është tek Allahu dhe në të cilin Allahun ka regjistruar gjithçka, që kur ka krijuar lapsin dhe gjithësinë, deri në ditën e Kiametit; dhe në këtë Libër është shënuar në detaje numri i të gjitha krijesave që do të lëvizin në Tokë, furnizimi që do të kenë, kohëzgjatja e jetës apo e qëndrimit në prehje në varr, dhe gjithçka tjetër. Me këtë, Allahu i tregon atyre idhujtarëve injorantë, të cilët mblidhnin gjokset për të fshehur atë që mbanin brenda tyre prej besimeve të kota dhe mohimit të Allahut, se Allahu i ka ditur të gjitha gjërat në detaje dhe i ka shënuar që të gjitha në Librin që gjendet tek Ai, që para se t’i krijojë ato gjëra; kështu që si mund t’i fshihni Allahut atë që mendoni e mbani në gjokse, duke u kërrysur apo duke u mbuluar me rrobë?!
[3] Allahu është Ai që ka krijuar qiejtë dhe Tokën për gjashtë ditë, a mos vallë do ta kishte të vështirë t’ju ringjallë juve pas vdekjes tuaj?! Para se të krijonte qiejtë dhe Tokën, dhe gjithçka mes tyre, Arshi – Froni i Allahut ishte mbi ujë; dhe Allahu i krijoi qiejtë dhe Tokën, bashkë me ju, për gjashtë ditë, nga e Djela në të Premte, me qëllim që t’ju vërë në provë se cili nga ju do të jetë më i bindur ndaj Tij dhe do të veprojë më mirë – pra Allahu kërkon cilësi dhe jo sasi: vepër të sinqertë për Allahun pa i shoqëruar askënd, dhe vepër që është në përputhje me sunetin dhe rrugën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem); Cili nga ju do të meditojë më shumë dhe do të ndikohet më shumë nga madhështia e krijimit të Allahut në qiej e në Tokë, dhe cilit nga ju do i shtojë kjo gjë më shumë besimin në Allahun, madhërimin e Allahut dhe bindjen ndaj Allahut me vepra të mira e të sinqerta vetëm për Të.
[4] Nëse u thua idhujtarëve dhe mohuesve se ju do të ringjalleni pas vdekjes suaj, dhe ju lexon këto fjalë nga Kurani, ata do të thonë se kjo – d.m.th. Kurani – është magji e qartë dhe e dallueshme për çdokënd që e dëgjon atë. Ai nuk është magji, por mrekulli nga Allahu, por zemrat e tyre janë të vulosura dhe mendjet e tyre të mbyllura, si rezultat i mohimit dhe mendjemadhësisë së tyre.
[5] Nëse Ne e vonojmë ndëshkimin e tyre deri sa të kalojë një brez e të vijë një brez tjetër, idhujtarët dhe mohuesit do të thonë: “Çfarë po e pengon ardhjen e ndëshkimit me të cilin na kërcënon?”, duke e përgënjeshtruar atë dhe u tallur me të, dhe duke menduar se ai ndëshkim nuk do të vijë ndonjëherë, dhe se Profeti i Zotit ka gënjyer; pa e ditur mendjelehtët se Allahu vepron me Urtësinë e Tij absolute dhe e sjell ndëshkimin befasisht, por Ai i afatizon ata në mënyrë që të pendohen.
[6] Ndëshkimi me të cilin kërcënoheni do të vijë, por ta dini se ditën kur ai ndëshkim të zbresë mbi ju, nuk do të shmanget nga ju dhe askush nuk mund t’jua largojë atë, por do ju godasë të gjithëve dhe do ju shkatërrojë, pikërisht ai ndëshkim me të cilin talleshit më parë, kur thonit: “Çfarë po e pengon? Përse nuk na e sjell atë dënim?”.
[7] Nëse Allahu i jep njeriut të mira, furnizim të bollshëm dhe kushte jetese të mira nga stolitë e kësaj bote – të cilat janë nga mëshira e Tij – pastaj e heq atë mëshirë nga njeriu dhe atë e godasin fatkeqësitë dhe skamja, atëherë njeriu dëshpërohet dhe i heq shpresat nga mëshira e Allahut dhe nga çdo e mirë, dhe bëhet mohues i fortë i Allahut dhe mosmirënjohës ndaj Tij.
[8] Nëse Allahu i jep njeriut të shijojë të mirat e Tij pas fatkeqësisë që e kishte goditur, njeriu do të mendojë se i kanë ikur të gjitha këqiat dhe nuk do i vijnë më, por do i vijnë vetëm të mira, kështu që shfaq gëzim të tepruar dhe mburrje para njerëzve, dhe aspak mirënjohje dhe falënderim për Allahun, duke menduar se i meriton ato të mira apo se i ka fituar me zgjuarsinë e tij.
[9] Bëjnë përjashtim nga njerëzit mohues që u përmendën më sipër, njerëzit besimtarë që durojnë në fatkeqësi dhe vazhdojnë me bindje ndaj Allahut pavarësisht fatkeqësisë dhe sprovës që u ka rënë, dhe falënderojnë vetëm Allahun kur Ai ua largon fatkeqësinë dhe u jep të mira nga mëshira e Tij, si dhe japin zekat e lëmoshë prej asaj që u jep Allahu; këta meritojnë falje nga Allahu për mëkatet e tyre për shkak të fatkeqësisë që i godet, dhe shpërblim të madh për veprat e tyre të mira, në të dyja botët.
[10] Ndoshta ti, o i Dërguar, për shkak të mohimit dhe përgënjeshtrimit të madh që ndesh nga mohuesit dhe idhujtarët, do të dëshiroje të lije mënjanë diçka nga ato që Allahu të ka shpallur dhe të ka urdhëruar që t’ua komunikosh njerëzve, dhe ndoshta të ngushtohet gjoksi nga ndroja se ata mund të kërkojnë prej teje disa kërkesa kryeneçe, siç është kërkimi i zbritjes së një thesari dhe pasurie të madhe tek ti, ose ardhja e një engjëlli që të dëshmojë se ti je i dërguar nga Allahu. Por ti komunikoi atyre gjithçka që unë të shpall, sepse detyra jote është vetëm paralajmërimi i tyre me atë që të shpall Unë prej ndëshkimit Tim mbi ta për shkak të mohimit të tyre, kurse të tjerat janë detyra Ime dhe Unë drejtoj dhe kujdesem për të gjitha çështjet e krijesave të Mia.
-222-
- Apo thonë: “Ai e ka trilluar atë (Kuranin)!” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure si ai të trilluara dhe thirrni në ndihmë këdo që mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën![1]
- Por nëse (ndihmuesit tuaj) nuk ju përgjigjen, atëherë ta dini se ai (Kurani) ka zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij. Pra, a nuk po i nënshtroheni Allahut?”[2]
- Kush dëshiron jetën e kësaj bote dhe luksin e saj, Ne do ia japim plotësisht shpërblimin për veprat e tyre në të, dhe atyre nuk do t’u lihet aty asgjë mangët.[3]
- Këta janë ata, të cilët në botën tjetër nuk do të kenë asgjë, përveç zjarrit. Gjithçka vepruan në jetë do u shkojë dëm dhe ajo që punuan është e pavlerë.[4]
- A mund të krahasohen këta (që duan jetën e kësaj bote) me ata që mbështeten në provë të qartë nga Zoti i tyre (Kuran), që ndiqet nga një dëshmitar prej Allahut (Xhibrili), dhe para të cilit (Kuranit) ishte (dëshmitar) Libri i Musait, i cili ishte udhëzues dhe mëshirë? Këta e besojnë atë (Kuranin).[5] Dhe kushdo që e mohon atë (Kuranin) prej grupeve, zjarri do të jetë vendi i tij i premtuar.[6] Prandaj, kurrë të mos jesh në dyshim për të (Kuranin). Me të vërtetë, ai është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk besojnë.[7]
- Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun? Ata do të paraqiten para Zotit të tyre dhe dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Vërtet, mallkimi i Allahut është mbi të padrejtët;[8]
- të cilët pengojnë nga rruga e Allahut dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë; dhe ata janë mohues të botës tjetër!”[9]
[1] Madje idhujtarët dhe mohuesit thonë se Kuranin e ka trilluar Muhamedi; por ti thuaju atyre të sjellin dhjetë sure të ngjashme me suret e Kuranit, nga trillimi dhe mendja e tyre, madje le të kërkojnë ndihmën e të gjitha krijesave të Allahut që munden të kërkojnë ndihmë prej tyre me qëllim që t’i ndihmojnë për të trilluar ato dhjetë suret, nëse thonë të vërtetën në akuzën se Kuranin e ka trilluar Muhamedi. Pra, përderisa ata nuk munden të sjellin diçka të vogël të njëjtë apo të ngjashme me suret e Kuranit, për nga ndërtimi strukturor gjuhësor, kuptimi, të fshehtat që përmban, përpikmëria dhe vërtetësia, etj., për faktin se ata janë krijesa dhe nuk mund të bëjnë diçka të njëjtë me veprën apo Fjalën e Krijuesit, sado që të thërrasin në ndihmë prej krijesave, dhe po kështu Muhamedi nuk mund ta ketë trilluar Kuranin, sepse edhe ai është një nga krijesat e Allahut, por ai vetëm komunikon atë që i shpall Allahu, dhe është paralajmërues dhe përgëzues për ato që i shpall Allahu.
[2] Nëse ndihmuesit tuaj që i thirrët për ndihmë në trillimin e sureve të ngjashme me suret e Kuranit, nuk ju përgjigjen thirrjes suaj dhe ju nuk mundeni të trilloni diçka të ngjashme me Kuranin, atëherë të jeni të bindur se Kurani ka zbritur nga qielli dhe i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) me dijen dhe vullnetin e Allahut, dhe se Muhamedi nuk e ka trilluar atë dhe as që ka mundësi ta trillojë; dhe të jeni të bindur gjithashtu se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet nga krijesat përveç Allahut, Krijuesit të tyre; prandaj i braktisni idhujt dhe zotat tuaj, dhe adhuroni vetëm Allahun! Pra, a nuk po bëheni muslimanë dhe t’i nënshtroheni Allahut me bindje ndaj Tij dhe me sinqeritet në adhurimin vetëm të Atij, pasi që akuza juaj u rrëzua dhe e vërteta se Kurani është nga Allahu u provua?
[3] Kushdo që dëshiron dhe kërkon me veprën e tij jetën e kësaj bote dhe luksin e saj, Allahu do i japë shpërblimin për veprat e tij të mira në këtë botë, të plotë dhe pa i cënuar asgjë; por atij nuk do i mbesë asgjë në botën tjetër, të cilën nuk e beson, se përndryshe do të punonte edhe për të.
[4] Ata, të cilët dëshirojnë me veprat e tyre vetëm jetën e kësaj bote dhe luksin e saj, dhe të cilëve Allahu ua dha të gjithë shpërblimin e veprave të tyre në këtë botë, ashtu si e kërkuan, këta nuk do të kenë në botën tjetër veçse zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të futen, sepse veprat që i bënë në këtë botë, u shkuan dëm dhe e morën shpërblimin për to në dynja, dhe veprat e tyre gjithësesi ishin të pavlefshme, sepse ata nuk i bënin ato për Hir të Allahut por për të tjerë apo për dynja, kështu që Allahu i asgjësoi dhe zhvlerësoi ato.
[5] A janë njësoj ata që me punën e tyre nuk kërkojnë vetëm se jetën e kësaj bote dhe luksin e saj, me ata që mbështeten në provë të qartë nga Allahu, në Kuran, i cili ka sqaruar qartë fenë e Allahut, dhe i cili ndiqet nga një dëshmues tjetër prej Allahut, që është Xhibrili i cili i zbriti Kuranin Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe këtë e përforcon një dëshmues i tretë, që ka qenë para Kuranit, dhe që është Teurati, i cili i ka zbritur Musait (alejhis selam) për të qenë udhëzues dhe mëshirë për ata që e besonin atë; Këta që mbështeten në provë të qartë nga Allahu – Muhamedi dhe besimtarët – e besojnë Kuranin dhe e zbatojnë atë në mënyrën më të mirë.
[6] Kushdo që e mohon Kuranin dhe mohon që ai të jetë shpallur nga Allahu, prej grupeve dhe ndjekësve të feve e besimeve të ndryshme, vendi i premtuar për ta është zjari i xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë për shkak të përgënjeshtrimit dhe mohimit të Kuranit.
[7] Prandaj, mos ki pikë dyshimi në lidhje me Kuranin, o Muhamed, sepse ai është e vërteta absolute e shpallur nga Zoti yt, por shumica e njerëzve nuk besojnë se Kurani është shpallur nga Allahu. Sigurisht që i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk dyshonte aspak se Kurani ishte nga Allahu, sepse atij i shpallej dhe ai e dinte si i shpallej dhe nga kush i shpallej, por qëllimi është që njerëzit të kenë provë të qartë se Kurani është nga Allahu dhe jo nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), dhe se Muhamedi është vetëm rob e krijesë e Allahut dhe i Dërguari i Tij për mbarë njerëzimin.
[8] Askush nuk është më i padrejtë dhe askush nuk do të ketë dënim më të madh se ai që trillon gënjeshtër kundër Allahut, siç është bërja ortak Allahut dhe adhurimi i të tjerëve në vend të Allahut apo për të ndërmjetësuar për ta tek Allahu, apo ata që i veshin Allahut fëmijë, etj. Këta do të paraqiten para Zotit të tyre në ditën e Llogarisë, dhe dëshmitarët prej engjëjve, profetëve, e të tjerë, do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre në dynja. Vërtet, Allahu është zemëruar me ta dhe i ka mallkuar me mallkim që nuk ndërpritet, sepse padrejtësia është bërë atribut i tyre i pandarë.”
[9] Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët, të cilët pengojnë njerëzit nga besimi në Allahun dhe nga adhurimi i Allahut me sinqeritet dhe pa i shoqëruar askënd dhe asgjë në adhurim; dhe të cilët përpiqen ta shtrembërojnë rrugën e Allahut, që është Islami, me trillime e shpifje; dhe të cilët e mohojnë ringjalljen pas vdekjes, llogarinë dhe shpërblimin apo dënimin në botën tjetër!
-223-
- Ata nuk mund t’i shpëtonin Allahut në Tokë dhe nuk kishin ndonjë mbrojtës tjetër, përveç Allahut.[1] Atyre do t’u shumëfishohet dënimi, sepse ata nuk arrinin të dëgjonin dhe as nuk shihnin.[2]
- Këta janë ata që i shkaktuan humbjen vetvetes, dhe do iu humbasin ato që trillonin.[3]
- Pa dyshim, këta do të jenë humbësit më të mëdhenj në botën tjetër.[4]
- Me të vërtetë, ata që besuan, bënë vepra të mira dhe u përulën para Zotit të tyre – ata janë banorët e Xhenetit; ata do të qëndrojnë përgjithmonë në të.[5]
- Shembulli i këtyre dy grupeve është si ai i verbri i shurdhër dhe ai që sheh e dëgjon. A janë të barabartë në krahasim këta dy? A nuk po merrni mësim?![6]
- Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i tij, që t’u thotë: “Unë jam paralajmërues i qartë për ju;[7]
- që të mos adhuroni veçse Allahun. Me të vërtetë, unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhembshme.”[8]
- Por, paria e popullit të tij, e cila mohoi, tha: “Ne nuk shohim të jesh tjetër veçse një njeri si ne; nuk shohim të të ndjekin veçse më të ultët nga ne, pa u menduar fare; dhe nuk shohim të keni ndonjë meritë mbi ne, madje mendojmë se jeni gënjeshtarë.”[9]
- Ai (Nuhu) tha: “O populli im, çfarë mendoni, nëse unë mbështetem në provë të qartë nga Zoti im dhe Ai më ka dhuruar mëshirë nga Vetë Ai, por që ju nuk arrini ta shihni atë; a t’ju detyrojmë ta pranoni, pavarësisht se ju e urreni atë (provën)?[10]
[1] Idhujtarët dhe mohuesit që pengojnë nga rruga e Allahut, nuk mund t’i shpëtonin Allahut në Tokë duke ikur, nëse Allahu do të dëshironte ndëshkimin e tyre, sepse ata janë në Dorën e Tij dhe në pronën e Tij, dhe asnjë mik apo aleat nuk mund t’i ndihmonte dhe mbronte ata nga ndëshkimi i Allahut, edhe pse kundër njeërzve ata kishin fuqi dhe aleancë të fortë, dhe askush nuk mund t’i sulmonte prej njerëzve.
[2] Atyre do t’u shtohet dhe shumëfishohet dënimi në zjarrin e Xhehenemit, për shkak të humbjes së vet dhe të njerëzve që i çuan në humbje, dhe kjo sepse ata nuk arritën ta dëgjonin Kuranin me dëgjim të vërtetë që të mund të përfitonin prej tij, dhe as nuk i shihnin provat e Allahut në univers me shikimin e kërkimit të udhëzimit, por ishin të preokupuar me mosbesimin dhe kryeneçësinë që iu pëlqente.
[3] Këta që përmenden në ajetet më sipër janë ata që i shkaktuan humbjen vetvetes dhe futjen në zjarr me trillimet që bënin ndaj Allahut, dhe trillimet e tyre: idhujt dhe zotat, të cilët ata mendonin se do të ndërpjetësonin për ta tek Allahu, do t’u humbin dhe nuk do i gjejnë më në botën tjetër, sepse janë kthyer në pluhur pasi që kanë qenë gurë apo drurë në dynja.
[4] Këta njerëz me cilësitë e mësipërme, do të jenë humbësit më të mëdhenj në botën tjetër, sepse ata i kanë shitur shtëpitë e tyre të xhenetit banorëve të xhenetit, dhe blenë prej tyre gropat e zjarrit ku mund të futeshin nëse do të ishin mohues; pra këta këmbyen gradët e xhenetit me thellësitë e xhehenemit, dhe sigurisht që kjo është vërtet humbja më e madhe.
[5] Vërtet, ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që vepruan vepra të mira në bindje ndaj Allahut, dhe që iu përulën Allahut të nënshtruar, me frikë e shpresë – këta janë banorët e Xhenetit dhe Xheneti është banesa dhe prona e tyre e trashëguar, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim.
[6] Shembulli i dy grupeve – atij mohues dhe atij besimtar – është sikur të krahasoje mes një njeriu të verbër e të shurdhër, që në këtë rast është ai që mohon Allahun, dhe një njeriu që sheh e dëgjon mirë, që në këtë rast ështe ai që e beson Allahun; A mund të krahasohen këta dy njerëz? – Sigurisht që jo! Po kështu, nuk mund të krahasohen mosbesimtarët që nuk e shohin të vërtetën që të mund ta ndjekin atë, dhe nuk e dëgjojnë thirrësin e Allahut që ta pasojnë atë – këta nuk mund të krahasohen me besimtarët të cilët i shohin qartë provat e Allahut dhe e dëgjojnë qartë thirrësin e Allahut dhe i përgjigjen atij. Pra, a nuk po mendoni dhe të merrni mësim?!
[7] Ne e dërguam Nuhun te populli i tij, dhe ai u tha atyre: «Unë jam paralajmërues i ndëshkimit të Allahut mbi ju për shkak të mohimit tuaj, dhe jam i qartë në ato me të cilët jam dërguar nga Allahu prej urdhrave dhe ndalesave të Tij.
[8] Unë jam paralajmërues i qartë për ju, që të mos adhuroni asgjë përveç Allahut, përndryshe, unë kam frikë se nëse nuk largoheni nga idhujt dhe nuk adhuroni vetëm Allahun pa i shoqëruar Atij asnjë ortak, mbi ju do të bjerë dënimi i një dite të dhimbshme, në këtë botë – që do ju marrë jetën, dhe në botën tjetër – ku do të jeni përgjithmonë zjarrin e Xhehenemit.
[9] Paria e popullit të Nuhut – të mëdhenjtë, fisnikët, të pasurit, udhëheqësit – të cilët mohuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, Nuhun (alejhis selam), thanë: “Ne shohim se ti je thjesht një njeri si ne, në krijim, paraqitje dhe lloj, dhe nuk ka mundësi që Allahu të dërgojë njerëz për të qenë lajmëtarë të Tij në Tokë, por duhet të dërgojë engjëj; dhe shohim se ata që të pasojnë ty janë më të ultët, më të varfërit, pra klasa më e ulët e shoqërisë sonë, dhe nuk shohim të pasojnë të mëdhenjtë dhe fisnikët; dhe po kështu, nuk shohim që të keni ndonjë meritë apo tju ketë ardhur ndonjë e mirë më shumë se ne, meqenëse ju keni adhuruar vetëm Allahun, kurse ne kemi adhurar idhujt dhe zotat tanë, që të mund t’ju pasonim për këtë arsye dhe për të përfituar edhe ne nga ajo që përfituat ju; madje ne mendojmë se ti, o Nuh, je gënjeshtar në thirrjen tënde se Allahu të ka dërguar tek ne.”
[10] Nuhu (Alejhis selam) i tha popullit të vet: “O populli im, çfarë mendoni nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im për atë me të cilën kam ardhur tek ju, dhe kjo provë vërteton se unë jam në rrugën e drejtë dhe të vërtetë të Zotit, dhe Ai më ka dhuruar mua mëshirë nga Vetë Ai – profetësinë dhe urtësinë – por që e ka fshehur nga sytë tuaj dhe ju nuk arrini ta shihni atë për shkak të injorancës dhe mendjemadhësisë suaj; atëherë, a është me vend që ne tju detyrojmë me forcë që ta pranoni provën, Islamin dhe profetësinë time, pavarësisht se ju e mohoni dhe e urreni atë? Sigurisht që nuk do e bëjmë këtë, por ia lëmë çështjen tonë Allahut që Ai të gjykojë dhe të vendosë për ju atë që meritoni.
-224-
- O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie për këtë (thirrjen). Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Unë kurrësesi nuk do t’i largoj ata që besojnë; ata me siguri do ta takojnë Zotin e tyre, por unë shoh se ju jeni vërtet popull që nuk dini.[1]
- O populli im! Kush do të më mbronte nga Allahu, nëse unë do i dëboja ata (besimtarët)? A nuk mendoni?[2]
- Unë nuk ju them se kam thesaret e Allahut, as nuk e di të fshehtën, as nuk them se jam engjëll, dhe as nuk them për ata, të cilët sytë tuaj i shohin me përçmim, se Allahu nuk do t’u japë atyre ndonjë të mirë, sepse Allahu e di më së miri atë që kanë në zemrat e tyre. Përndryshe, sigurisht që do të isha nga të padrejtët.”[3]
- Ata thanë: “O Nuh! Ti na kundërshtove ne, madje e ke tepruar në kundërshtimin tonë, prandaj na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je prej të sinqertëve!”[4]
- Ai (Nuhu) tha: “Vetëm Allahu është Ai që jua sjellë atë, nëse dëshiron; dhe atëherë, ju nuk mund t’i shpëtoni Atij.[5]
- As këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi – sado që të përpiqem t’ju këshilloj – nëse Allahu dëshiron t’ju lërë në humbje. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni.”[6]
- A mos thonë ata: “Ai e ka trilluar atë”?[7] Thuaj (O Muhamed): “Nëse unë e kam trilluar atë, atëherë mëkati im bie mbi mua, por unë jam i pafajshëm për mëkatet që bëni ju.”[8]
- Pastaj, Nuhut iu shpall: “Askush nga populli yt nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, prandaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata![9]
- Ndërtoje anijen nën Sytë Tanë dhe me shpalljen Tonë, dhe mos m’u lut për ata që bënë padrejtësi, sepse ata do të mbyten!”[10]
[1] Nuhu (alejhis selam) vazhdon t’i thotë popullit të tij: “Unë nuk kërkoj ndonjë pasuri nga ju për këshillën që ju jap dhe thirrjen tuaj në adhurimin e Një Zoti të Vetëm dhe largimin nga idhujt, kështu që mos më akuzoni dhe mos mendoni se unë kërkoj ndonjë gjë nga plaçka e kësaj bote, sepse shpërblimi im për thirrjen dhe komunikimin e shpalljes së Allahut është vetëm tek Allahu dhe nga Allahu. Dhe unë kurrë nuk do i largoj ata që besojnë Allahun dhe i braktisën idhujt, edhe pse nuk janë në shtresën e pasur dhe fisnike të shoqërisë tuaj; këta besimtarë, për të cilët ju më kërkoni që t’i largoj, në mënyrë që të besoni ju, do të shkojnë te Allahu dhe Ai do i pyesë ata se çfarë kanë vepruar në këtë botë, dhe nuk do i pyesë nëse kanë qenë në shtresën e të pasurve dhe fisnikëve e lordëve. Mirëpo, unë shoh që vërtet ju, o njerëz, jeni një popull që nuk e dini detyrën që keni kundrejt Allahut, Krijuesit tuaj, dhe nuk e dini përfundimin tuaj, prandaj edhe më kërkoni që të largoj dhe të dëboj besimtarët dhe miqtë e Allahut nga rrethi im.
[2] Kush do të më mbronte nga dënimi i Allahut për dëbimin e besimtarëve dhe njësuesve të Tij, nëse do e bëja këtë gjë?! A nuk mendoni për atë që thoni dhe a nuk e kuptoni që jeni gabim, dhe që duhet të ktheheni nga gabimi juaj?
[3] Vazhdon fjala e Nuhur drejtuar popullit të tij: «Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut dhe veproj me to si të dua, as nuk e di të fshehtën dhe të padukshmen – nuk e di çfarë fshehin njerëzit në zemrat e tyre dhe asgjë tjetër nga gjërat e fshehta dhe të padukshme, të cilat i di vetëm Allahu – pra, nuk ju them se kam cilësi hyjnore dhe të kërkoj nga ju të më adhuroni; as nuk ju them se jam engjëll i dërguar nga Allahu tek ju, përndryshe do të gënjeja, sepse unë jam njeri si ju dhe ashtu si thoni edhe vetë ju për mua, por që jam urdhëruar nga Allahu t’ju ftoj në fenë dhe Njësimin e Allahut; dhe sigurisht që nuk them për ata që më kanë pasuar mua dhe që kanë besuar Allahun dhe e kanë Njësuar Atë në adhurim, të cilët sytë tuaj i shohin ata me përçmim dhe për të cilët ju thoni se janë shtresa më e ulët e shoqërisë tuaj, se Allahu nuk do t’u japë atyre ndonjë të mirë, d.m.th. që Allahu nuk mund t’ua japë atyre besimin, i cili është dhurata më e mirë dhe më e shtrentjë që i jepet dikujt, apo se nuk do u japë shpërblim për veprat e tyre të mira. Allahu e di më së miri atë që kanë ata në zemrat e tyre, dhe do u japë shpërblimin që meritojnë, kurse unë do të gjykoj për ta sipas asaj që shfaqin dhe që shoh prej besimit dhe pasimit të rrugës sime, kështu që nuk do i dëboj kurrë dhe nuk do lejoj askënd t’i dëmtojë ata, përndryshe do të isha nga të padrejtët kundër vetes sime dhe kundër të tjerëve.
[4] Populli i Nuhut i tha Nuhut (alejhis selam): “Na ke kundërshtuar dhe e ke tepruar me kundërshtimin tonë, prandaj na e sill dënimin me të cilin na kërcënon, nëse je i sinqertë dhe thua të vërtetën në lidhje me dënimin dhe me pretendimin se je i dërguar nga Allahu!” Ata kishin qëllim të thonin se ai nuk do të mundet ta sjellë dënimin, sepse ishte gënjeshtar, sipas tyre.
[5] Kur populli i Nuhut kërkoi shpejtimin e dënimit nga Nuhu, ai u tha: “Nuk e kam unë në dorë dënimin tuaj që ju po e përshpejtoni, por e ka në Dorë Allahu, dhe Ai do jua sjellë Atë, nëse dëshiron dhe kur të dëshirojë; por nëse do ju vijë ai dënim, ju nuk mund t’i shpëtoni atij duke ikur, sepse kudo që të shkoni, do të jeni në pronën, sundimin dhe fuqinë e Tij, dhe vendimi i Tij do të zbatohet mbi ju.
[6] Këshilla ime dhe paralajmërimi që ju bëj nga zbritja e dënimit dhe zemërimit të Allahut mbi ju për shkak të mohimit tuaj, nuk do t’ju bëjë dobi, sado që të përpiqem t’ju këshilloj, nëse Allahu dëshiron që t’ju lërë në humbje dhe t’ju shkatërrojë me dënimin e Tij. Allahu është Zoti juaj, dhe ju do të ktheheni tek Ai pas dënimit dhe shkatërrimit tuaj, për të marrë edhe atje dënimin e përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit, që meritoni.
[7] A mos thonë idhujtarët se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) e ka trilluar Kuranin, duke përfshirë edhe këtë histori që flet për Nuhun (alejhis selam) dhe popullin e tij? Ose, a mos thonë mohuesit nga populli i Nuhut, se Nuhu e ka trilluar çështjen e ardhjes së dënimit të Allahut mbi popullin e tij për shkak të mohimit të tyre, apo se ka trilluar profetësinë dhe shpalljen që thotë se i vjen nga Allahu? – Por, meqenëse në vijim, ajeti i drejtohet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), me fjalën “Thuaj”, kjo tregon se ajeti ka për qëllim idhujtarët e Mekës, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) dhe Kuranin; dhe ky ajet është futur mes ajeteve që flasin për historinë e Nuhut (alejhis selam), për të provuar edhe një herë se Kuranin e ka shpallur Allahu dhe nuk e ka trilluar Muhamedi, sepse ai nuk e dinte assesi atë që ka ndodhur me Nuhun dhe popullin e tij para mijëra vitesh.
[8] Thuaju, o Muhamed, atyre idhujtarëve që të akuzojnë se ti e ke trilluar Kuranin: “Nëse unë e kam trilluar atë, atëherë dënimi për mëkatin dhe krimin tim do të bjerë vetëm mbi mua, kurse ju nuk do të dënoheni për mëkatin tim, ashtu si edhe unë jam i pafajshëm për mëkatet dhe krimet tuaja ndaj Zotit tuaj, për të cilat do të ndëshkoheni vetëm ju, dhe askush nuk do të dënohet për mëkatin e tjetrit, por vetëm për mëkatin e vet.
[9] Allahu i shpalli Nuhut (alejhis selam), pasi populli i tij e meritoi dënimin e premtuar dhe pasi erdhi urdhri i Allahut: “Askush nuk do të besojë Allahun nga populli yt, o Nuh, dhe askush prej tyre nuk do e Njësojë Allahun në adhurim dhe nuk do të ndjekë ty në rrugën dhe thirrjen tënde, përveç atyre që tashmë kanë besuar dhe të ndjekin ty, kështu që mos u mërzit për atë që vepronin ata, sepse Unë do i shkatërroj ata dhe do të shpëtoj ty dhe ata që të ndjekin ty.” Allahu ia shpalli këto fjalë Nuhut (alejhis selam) pasi ai i ishte lutur Allahut që ta shkatërronte popullin e tij dhe të zbriste mbi ta dënimin e Tij. [Nuh, 26].
[10] Ndërtoje anijen nën Sytë Tanë (shikimin dhe kujdesin Tonë), me urdhrin dhe ndihmën Tonë, sepse Ne do të ruajmë nga populli yt; dhe mos më kërko t’i afatizoj më shumë ata që i bënë padrejtësi vetvetes me mohimin e Allahut, sepse ata do të mbyten nga përmbytja. – Ajeti pohon se Allahu i Madhëruar ka Sy, me të cilët sheh, dhe Sytë e Allahut nuk i përngjajnë atyre të krijesave të Tij, por i përshtaten Madhështisë së Tij, të Lartësuarit.
-225-
- Ndërsa ndërtonte anijen, sa herë që pranë tij kalonte ndonjë grup nga paria e popullit të tij, talleshin me të. Ai u tha: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju;[1]
- Dhe, së shpejti, do ta mësoni se kujt (prej nesh) do i vijë dënim që do e poshtërojë dhe mbi të cilin do të zbresë dënim i përhershëm.”[2]
- Kur erdhi urdhri Ynë dhe uji të gufojë nga furra e bukës (si shenjë për Nuhun), Ne i thamë: “Ngarko në të (anije) nga një çift të çdo lloj gjallese, familjen tënde – përveç atyre kundër të cilëve është miratuar dekreti që më parë (për t’u mbytur) – dhe besimtarët!” Por nuk kishin besuar me të, veçse një pakicë![3]
- Ai (Nuhu) tha: “Hipni në të (anije)! Me emrin e Allahut ajo do të lundrojë dhe do të ankorohet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës, Mëshirëplotë.”[4]
- Dhe ajo lundronte me ta nëpër dallgë të larta si malet, ndërsa Nuhu thirri birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne dhe mos u bëj me mohuesit!”[5]
- Ai (i biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal, i cili do të më ruajë nga uji.” Ai (Nuhu) i tha: “Sot nuk ka mbrojtës nga urdhri i Allahut, përveç atij që mëshiron Ai!” Atëherë dallga i ndau nga njëri-tjetri dhe ai (i biri) u bë prej të mbyturve.[6]
- Pastaj u tha: “O Tokë, gëlltite ujin tënd dhe ti, o qiell, pusho (shiun)!” Atëherë uji u tërhoq dhe urdhri u përmbush, ndërsa anija qëndroi mbi malin El Xhudij. Dhe u tha: “Larguar qofshin njerëzit e padrejtë!”[7]
- Pastaj Nuhu iu lut Zotit të tij dhe i tha: “O Zoti im! Biri im është nga familja ime; dhe me të vërtetë, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!”[8]
[1] Ndërsa Nuhu (alejhis selam) ndërtonte anijen ashtu si e kishte urdhëruar Allahu, sa herë që pranë tij kalonte një grup nga paria e populli të tij, talleshin me të, duke i thënë: “A u bëre zdrukthëtar pasi që ishe profet, dhe po ndërton anije në rërë, ndërkohë që këtu nuk ka det?!” Kurse Nuhu u thoshte: “Nëse talleni me ne sot, për shkak të injorancës suaj ndaj të vërtetës së premtimit të Allahut për ndëshkimin e mohuesve, ne do të tallemi me ju nesër kur të mbyteni dhe në botën tjetër, ashtu si po talleni me ne këtu në dynja.
[2] Së shpejti, kur të shihni dënimin e Allahut, do ta mësoni se kush do të jetë i shkatërruari, të cilit do i vijë dënimi i Allahut, që do e poshtërojë në këtë botë dhe që do i vazhdojë përgjithmonë dhe pa ndërprerje në botën tjetër.
[3] Nuhu (alejhis selam) vazhdoi të ndërtonte anijen, deri sa erdhi urdhri i Allahut kundër popullit të tij me tufanin që do i mbyste, dhe shenja e parë e ardhjes së tufanit ishte gufimi i ujit nga furra e bukës. Kështu, kur gufoi uji nga furra, Nuhu e mësoi se tufani po vinte, dhe u urdhërua nga Allahu të ngarkonte në anije një çift (mashkull dhe femër) nga çdo gjallesë, familjen e vet – përveç atyre kundër të cilëve ishte miratuar dekreti që më parë nga Allahu, për t’u shkatërruar bashkë me popullin e Nuhut (thuhet se ata që u përjashtuan ishin gruaja dhe një nga djemtë e Nuhut) – dhe ata që e besuan Nuhun dhe e ndoqën atë, numri i të cilëve ishte shumë i vogël.
[4] Nuhu i tha besimtarëve që të hipnin në anije, dhe përmendi emrin e Allahut kur hipi në të, duke thënë: “Me emrin e Allahut ajo do të lundrojë dhe do të ankorohet – d.m.th. do të ndalet në vendin dhe kohën që do Allahu. Me të vërtetë, Allahu është Falës i gjynaheve të atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai, dhe Ai është Mëshirëplotë, kështu që nuk i dënon ata për gjynahet e tyre pas pendimit.
[5] Anija lundronte bashkë me Nuhun dhe besimtarët nëpër dallgë të mëdha dhe të larta sa malet, ndërsa Nuhu pa birin e vet, Kenanin ose Jam-in, i cili ishte veçuar që më parë nga njerëzit dhe rrinte në një vend larg tyre dhe larg besimtarëve, dhe i tha atij: “O biri im, eja hip me ne në anije, dhe mos u bëj me mohuesit e të mbytesh bashkë me ta!”
[6] Biri i Nuhut tha: “Do të ngjitem në një mal të lartë, i cili do të më ruajë nga uji dhe nga mbytja!” Kurse Nuhu (alejhis selam) i tha: “Sot nuk ka asnjë mbrojtës që mund të mbrojë nga urdhri dhe dënimi i Allahut që ka zbritur mbi njerëzit prej mbytjes dhe shkatërrimit, përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu – ata janë të mbrojtur – prandaj beso dhe hip me ne në anije!” Por ai nuk e dëgjoi të atin, kështu që erdhi dallga e lartë dhe i ndau ata nga njëri-tjetri, dhe ai u bë prej të mbyturve dhe të shkatërruarve.
[7] Pas përmbushjes së urdhrit të Allahut me përmbytjen dhe shkatërrimin e popullit të Nuhut, Allahu i tha Tokës dhe qiellit: “O Tokë, gëlltite dhe thithe ujin që është mbi ty, kurse ti o qiell, pushoje shiun!” Atëherë uji u tërhoq dhe u tha nga Toka, dhe çështja dhe urdhri i Allahut u përmbush për shkatërrimin e popullit të Nuhut, kurse anija qëndroi dhe ankoroi mbi malin el Xhudij, një mal nga ana e Irakut ose e Gadishullit Arabik. Dhe Allahu tha: “Larguar qofshin nga mëshira e Allahut njerëzit e padrejtë dhe mohues nga populli i Nuhut!”
[8] Pasi populli i Nuhut u shkatërrua dhe anija qëndroi mbi mal, Nuhu iu lut Zotit të tij dhe i tha: “O Zoti im! Ti më ke premtuar se do të më shpëtosh mua dhe familjen time nga shkatërrimi dhe përmbytja, por biri im u mbyt, dhe ai është nga familja ime; dhe premtimi Yt është i vërtetë dhe i pandryshueshëm, kurse Ti je Gjykatësi më i drejtë, prandaj gjyko për mua me atë që më ke premtuar për shpëtimin tim dhe të familjes sime, dhe më kthe mua birin tim!”
-226-
- Ai (Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote! Kjo është vepër jo e mirë, prandaj mos më kërko diçka për të cilën nuk ke njohuri. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit.”[1]
- Ai (Nuhu) tha: “Zoti im, kërkoj mbrojtje nga Ti që të mos kërkoj diçka, për të cilën nuk kam njohuri! Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, unë do të jem nga të humburit.”[2]
- Atëherë iu tha: “O Nuh, zbrit me siguri prej Nesh dhe me bekime mbi ty dhe mbi disa nga popujt (pasardhësit) e atyre që gjenden me ty. Ndërsa disa popujve të tjerë (prej tyre), Ne do t’u japim kënaqësi (për një kohë), pastaj do t’i godasë nga Ne një dënim i dhembshëm!”[3]
- Këto (ajete) janë disa nga lajmet e së fshehtës që Ne t’i shpallim ty (O Muhamed!). Këto nuk i ke ditur as ti, as populli yt para kësaj. Prandaj, duro, se vërtet, përfundimi i mirë i takon të devotshmëve.[4]
- Kurse popullit Ad i dërguam vëllanë e tyre Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij. Ju nuk jeni tjetër veçse trillues.[5]
- O populli im! Unë nuk ju kërkoj shpërblim për këtë. Shpërblimi im është vetëm tek Ai që më ka krijuar! A nuk kuptoni?![6]
- O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj pastaj kthehuni tek Ai me pendim; që Ai të zbresë mbi ju shi të bollshëm dhe t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Dhe mos ktheni shpinën duke qenë keqbërës!”[7]
- Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë ndonjë provë të qartë, kështu që ne nuk do t’i braktisim zotat tanë për fjalën tënde, dhe ne nuk të besojmë ty![8]
[1] Allahu i tha Nuhut: “Biri yt, për të cilin po më lutesh, dhe të cilin e mbyta bashkë me ata që u mbytën nga mohuesit prej popullit tënd, dhe për të cilin thua se është nga familja jote, në të vërtetë ai nuk është nga familja jote, për të cilën të premtova se do ta shpëtoja, sepse ai nuk ishte në fenë tënde dhe më mohonte mua dhe ty si i dërguari Im. Kjo kërkesë e jotja për birin tënd mohues dhe përkrahës të idhujtarëve dhe mohuesve, që ta shpëtoj nga shkatërrimi, ndërkohë që Unë ju përgjigja lutjes tënde që ke bërë më parë kur the: “Mos lër asnjë shtëpi të mohuesve mbi Tokë!” pa përjashtuar askënd prej mohuesve; pra kjo kërkesë e jotja tani për birin tënd është vepër jo e mirë, sepse po më thua të mos bëj diçka që e kam thënë më parë se do e bëj në përgjigje të lutjes tënde. Prandaj mos më kërko diçka për të cilën nuk ke njohuri as ti as ndonjë tjetër nga njerëzit, dhe Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga injorantët në lutjet dhe kërkesat që më bën Mua!
[2] Nuhu (alejhis selam) u pendua dhe i kërkoi menjëherë falje Allahut për veprën e tij, duke i thënë: “Zoti im! Unë kërkoj mbrojtje nga Ti që të më mbrosh nga vetja ime dhe mos të të kërkoj diçka për të cilën nuk kam dije, prandaj më fal mua gabimin dhe rrëshqitjen time në lidhje me atë që të kërkova për birin tim, dhe nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron e shpëton nga zemërimi Yt, atëherë unë do të jem nga ata që e humbën vetveten dhe u shkatërruan!
[3] Allahu i tha Nuhut (alejhis selam): “Zbrit nga anija me siguri dhe paqe nga Ne, dhe mos ki frikë nga mbytja apo ndonjë rrezik në vendin e ri; dhe me bekime e begati mbi ty dhe mbi disa nga popujt pasardhës të atyre që gjenden me ty në anije, prej bijve të tu, të cilët do të jenë besimtarë. Kurse disa popuj të tjerë parardhës të bijve të tu do të jenë të këqninj dhe jobesimtarë, kështu që Ne do u japim atyre pak kënaqësi të përkohshme të kësaj bote dhe do i furnizojmë ata deri sa t’ju vijë afati i tyre i vdekjes, pastaj do t’i bëjmë ata të shijojnë dënimin e dhembshëm kur të kthehen tek Ne, në botën tjetër.
[4] Këto ajete që flasin për historinë e Nuhut (alejhis selam) janë nga lajmet e së fshehtës së shkuar, për të cilën nuk ke pasur dije as ti, o Muhamed, as populli yt, para kësaj që të shpallet në Kuran, kështu që si thonë ata idhujtarë se Kuranin e ka trilluar Muhamedi? Por ti, o Muhamed, duro përballë përgënjeshtrimit që të bën populli yt, ashtu si kanë duruar edhe të dërguarit e mëparshëm të Allahut, sepse e ardhmja dhe përfundimi i mirë në këtë botë dhe në botën tjetër është vetëm për të devotshmit, të cilët i ruhen Allahut dhe ndëshkimit të Tij duke kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij.
[5] Popullit Ad i dërguam vëllanë e tyre Hudin (alejhis selam), i cili u tha atyre: “O populli im, adhuroni vetëm Allahun dhe mos i bëni shok Atij idhujt dhe zotat tuaj, sepse ju nuk keni zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, prandaj adhuroni vetëm Atë me sinqeritet dhe përkushtim! Ju nuk jeni gjë tjetër në idhujtarinë tuaj veçse njerëz trillues dhe shpifës, sepse në të vërtetë nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një e të Pashoq.”
[6] Unë nuk ju kërkoj shpërblim për këshillën time dhe thirrjen që ju bëj për të adhuruar vetëm Allahun dhe për të mos i shoqëruar askënd Atij në adhurim. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu, i Cili më ka krijuar dhe më ka dërguar tek ju. A nuk e kuptoni se sikur me thirrjen time për të adhuruar vetëm Allahun të kisha ndonjë qëllim tjetër përveç këshillës dhe të mirës suaj në këtë botë dhe në botën tjetër, atëherë do ju kisha kërkuan ndonjë lloj shpërblimi apo përfitimi nga sendet e kësaj bote?!
[7] I kërkoni falje Allahut për idhujtarinë tuaj të mëparshme dhe besoni Allahun sinqerisht, pastaj kthehuni tek Ai me pendim të sinqertë, adhurim të vetëm Atij dhe kryerje të urdhrave të Tij; nëse ju besoni Allahun dhe pendoheni për idhujtarinë dhe mohimin tuaj, dhe adhuroni vetëm Allahu me sinqeritet, Ai do ju zbresë shi të begatë nga qielli, për ju, të mbjellat tuaja dhe kafshët tuaja, dhe do i shpëtojë arat tuaja nga thatësira, dhe përveç kësaj, do ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj që ju ka dhënë aktualisht – ata ishin nga njerëzit më të fuqishëm të kohës. Dhe mos i ktheni shpinën thirrjes sime për Njësimin e Allahut dhe largimin nga idhujtaria, duke këmbëngulur në idhujtari dhe mohim të Allahut.
[8] Populli i Hudit i tha atij: “O Hud, ti nuk na ke sjellë ndonjë provë të qartë dhe të dukshme që të vërtetojë fjalën tënde në të cilën na thërret prej adhurimit të Një Zoti dhe largimin nga idhujtaria, kështu që ne nuk do e lëmë adhurimin e idhujve tanë për shkak të fjalës tënde, dhe ne nuk të besojmë ty si i dërguar i Allahut tek ne dhe në asgjë nga ato që thua.
-227-
- Ne mund të themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë nga zotat tanë me të keqe (çmenduri)!”[1] Ai tha: “Unë marr Allahun dëshmitar, dhe dëshmoni edhe ju, se unë jam i pastër nga gjithçka që ju adhuroni,
- përveç Tij.[2] Prandaj komplotoni kundër meje të gjithë së bashku, pastaj mos më jepni afat![3]
- Me të vërtetë, unë jam mbështetur tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. Nuk ka asnjë krijesë lëvizëse që Ai të mos e kapë prej ballukeve të ballit. Me të vërtetë, Zoti im është në rrugë të drejtë.[4]
- Por nëse ktheni shpinën, unë tashmë jua kam përcjellë atë, me të cilën jam dërguar te ju dhe, Zoti im, do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, kurse ju nuk mund ta dëmtoni aspak Atë. Vërtet, Zoti im është Ruajtës i çdo gjëje.”[5]
- Dhe kur erdhi urdhri Ynë, Ne e shpëtuam Hudin dhe ata që besuan bashkë me të, me mëshirë nga Ne; dhe i shpëtuam ata nga një dënim i ashpër.[6]
- Ky ishte populli Ad. Ata i mohuan provat e Zotit të tyre, i kundërshtuan të dërguarit e Tij dhe ndoqën urdhrin e çdo mendjemadhi kokëfortë.[7]
- Ata u ndoqën në këtë botë nga një mallkim dhe në Ditën e Kiametit gjithashtu. Me të vërtetë, Adi e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar Adi, populli i Hudit![8]
- Kurse Themudit i dërguam vëllanë e tyre, Salihun. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vendosi të jetoni në të; prandaj, kërkoni falje prej Tij, pastaj kthehuni tek Ai me pendim! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe përgjigjet.”[9]
- Ata thanë: “O Salih! Para kësaj, ti ishe një njeri premtues në mesin tonë. A po na ndalon të adhurojmë ato që adhuronin prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në dyshim shqetësues për atë në të cilën na fton.”[10]
[1] Populli i Hudit vazhdon të thotë: “Ne nuk mund të themi gjë tjetër, veçse ty të ka goditur ndonjë nga zotat tanë që ne i adhurojmë me ndonjë çmenduri, për shkak se ti fole kundër tyre dhe ndalove nga adhurimi i tyre.
[2] Hudi u tha atyre: “Unë marr Allahun dëshmitar për ato që ju them, dhe ju marr edhe juve dëshmitar që të dëshmoni se unë jam i pastër nga ato që ju adhuroni në vend të Allahut prej idhujve dhe putave tuaj.
[3] Prandaj, mblidhuni dhe merrni një vendim kundër meje të gjithë ju idhujtarët bashkë me idhujt tuaj, pa e vonuar zbatimin e vendimit tuaj dhe pa më afatizuar aspak; sepse unë jam i bindur plotësisht se ju apo idhujt tuaj nuk mund të më bëni asnjë të keqe, pasi unë i jam mbashtetur Allahut.
[4] Unë i jam mbështetur Allahut, Zotëruesit tim dhe tuaj, dhe Mbajtësit të të gjitha krijesave, për të më ruajtur nga e keqja juaj dhe e çdo krijese që lëviz mbi tokë, sepse nuk ka krijesë që lëviz mbi tokë, veçse Allahu e kap prej ballukesh kur të dojë, sepse që të gjitha janë pronë e Allahut dhe në Dorën e Tij, të nënshtruara dhe përulura Atij, dhe Ai i drejton ato si të dojë. Zoti im është ne rrugën e Vërtetë, dhe Ai do e shpërblejë atë që beson dhe vepron mirë sipas të mirës që ka bërë, kurse atë që vepron keq, sipas të keqes që ka bërë; pa i bërë padrejtësi askujt aspak, dhe nuk pranon prej tyre veçse Islamin dhe besimin e vërtetë në Të.
[5] Vazhdon fjala e Hudit (alejhis selam) drejtuar popullit të tij : «Nëse i ktheni shpinën asaj në të cilën ju ftoj prej Njësimit të Allahut dhe adhurimit vetëm të Atij me sinqeritet dhe pa shoqëruar asnjë ortak, unë tashmë jua kam komunikuar shpalljen e Zotit tim dhe juve ju është ngritur argumenti, dhe meqenëse nuk e besuat Allahut dhe mua, të dërguarin e Allahut tek ju, Allahu do ju shkatërrojë dhe do të sjellë një popull tjetër që t’ju zëvendësojnë dhe të trashëgojnë shtëpitë dhe pasuritë tuaja, dhe të cilët do të adhurojnë Allahun me sinqeritet, kurse ju nuk mund ta dëmtoni aspak Allahun. Allahu është Ruajtësi dhe Mbrojtësi i çdo gjëje, dhe Ai më ruan dhe më mbron mua nga çdo e keqe që mund të synoni kundër meje.
[6] Kur popullit të Hudit i erdhi ndëshkimi Ynë, Ne e shpëtuam Hudin dhe ata që i besuan atij, me mëshirën dhe mirësinë Tonë mbi ta, dhe i shpëtuam gjithashtu nga një dënim i ashpër në ditën e Kiametit, ashtu si i shpëtuam në këtë botë nga zemërimi që zbritën mbi popullin Ad.
[7] Ky ishte populli i fortë dhe i fuqishëm i Adit, të cilin ne e dënuam dhe e shkatërruam për shkak se mohuan provat dhe argumentet Tona, dhe i kundërshtuan të dërguarit Tanë që i urdhëronin për të adhuruar vetëm Allahun dhe të largoheshin nga idhujt, por në vend të tyre, ata ndoqën urdhrat e çdo mendjemadhi ndaj Allahut dhe mohuesi të së vërtetës, që është kokëfortë dhe i pabindur ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij.
[8] Populli Ad u ndoq nga zemërimi i Allahut dhe mallkimi i Tij në këtë botë, duke u përmendur për keq në çdo kohë dhe nga çdo popull, dhe po ashtu në ditën e Kiametit do të ndiqen nga zemërimi i Allahut dhe mallkimi i Tij; sepse ata e mohuan Zotin e tyre dhe të mirat që u kishte dhënë në këtë botë, kështu që Allahu i largoi ata nga çdo e mirë dhe i afro inga çdo e keqe.
[9] Fisit apo popullit Themud, i cili është quajtur gjithashtu Adi i dytë, banorët e Hixhrit, Allahu i dërgoi vëllanë e tyre nga fisi, Salihun (alejhis selam), për t’i ftuar ata në adhurimin e Allahut dhe largimin nga idhujtaria, sepse ata nuk kanë zot tjetër në qiell apo në Tokë përveç Allahut, i Cili i krijoi ata nga Toka, d.m.th. origjina e tyre është nga Toka, si e të gjithë njerëzve, dhe i vendosi ata në Tokë duke i bërë zëvendës dhe kujdestarë të saj, për ta ndërtuar dhe sistemuar. Allahu u dha atyre nga të gjitha të mirat e dukshme dhe të padukshme, por ata adhuruan të tjerë përveç Tij, kështu që Allahu u dërgoi Atyre Salihun që t’u thoshte t’i kërkonin falje Allahut duke besuar dhe adhuruar vetëm Atë, dhe të ktheheshin tek Ai me pendim duke u larguar nga ndalesat e Allahut dhe duke zbatuar urdhrat e Tij. Vërtet, Allahu është pranë atij që e adhuron Atë me sinqeritet dhe që kthehet tek Ai me pendim e lutje, dhe i përgjigjet lutjes së Tij kurdo që i lutet.
[10] Shpresonim të bëheshe nga zotërinjtë dhe udhëheqësit tanë para se të thoshe këtë fjalë; që ne nuk kemi të adhuruar tjetër përveç Allahut. A mos po kërkon me këtë fjalë, që ne të lëmë adhurimin e atyre idhujve që i kanë adhuruar prindërit tanë më parë?! Vërtet, ne jemi në dyshim shqetësues dhe nuk e dimë vërtetësinë e thirrjes tënde për të adhuruar vetëm Allahun, dhe se adhurimi nuk i takon veçse Atij. Pra, me vetë dëshminë e popullit të tij idhujtar, Salihu (alejhis selam) shquhej për urtësinë, moralin dhe sinqeritetin e tij, që para se t’i vinte shpallja nga Allahu, por kur Allahu i shpalli atij dhe e ngriti edhe më shumë mbi popullin e tij, ata e kundërshtuan atë për të ndjekur dëshirat dhe pasionet e tyre të pavlera, nga mendjemadhësia dhe injoranca.
-228-
- Ai tha: “O populli im! Çfarë mendoni, nëse unë mbështetem në provë të qartë nga Zoti im dhe Ai më ka dhuruar mëshirë prej Tij – kush do të më mbronte nga Allahu, nëse unë do e kundërshtoja Atë?! Pra, ju nuk do të më shtonit gjë tjetër përveç humbjes.[1]
- O populli im! Kjo është deveja e Allahut, argument për ju; prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni asgjë të keqe, përndryshe do të goditeni nga një dënim i afërt!”[2]
- Por ata e therën atë dhe ai (Salihu) tha: “Kënaquni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është një premtim i pagënjeshtërt.”[3]
- Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e shpëtuam Salihun dhe ata që besuan bashkë me të, me mëshirë nga Ne, dhe i shpëtuam ata nga poshtërimi i asaj dite. Me të vërtetë, Zoti yt është i Forti, i Plotfuqishmi.[4]
- Kurse ata që bënë padrejtësi i kaploi britma dhe u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre;[5]
- sikur të mos kishin jetuar kurrë në to. Me të vërtetë, Themudi e mohoi Zotin e vet. Larguar qoftë Themudi![6]
- Të dërguarit Tanë (engjëjt) erdhën te Ibrahimi me lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe!” Ai tha: “Paqe!” Dhe nuk vonoi të sjellë një viç të pjekur.[7]
- Por, kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek ai (mishi), nuk i pëlqeu dhe ndjeu nga ata një frikë. Ata i thanë: “Mos ki frikë! Ne jemi dërguar te populli i Lutit.”[8]
- Ndërkohë, gruaja e tij qëndronte në këmbë dhe qeshi; atëherë Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, dhe pas Is’hakut, me Jakubin.[9]
[1] Salihu i tha popullit të tij: “Më thoni, kush do të më mbrojë mua nga dënimi i Allahut, nëse unë e kundërshtoj Atë dhe nuk i bindem Atij duke mos jua komunikuar juve shpalljen e Tij, ndërsa Allahu më ka dhënë mua provë të qartë që e kam parë dhe jam bindur, dhe më ka dhuruar mëshirë nga Ai: profetësinë, urtësinë dhe Islamin?! Pra, ju nuk më shtoni mua me fjalën tuaj që ta lë atë që më shpallet dhe të ndjek fenë tuaj dhe të baballarëve tuaj, veçse humbje të sigurtë dhe largim nga mëshira e Allahut dhe nga çdo e mirë.
[2] O populli im! Kjo është deveja e Allahut, të cilën Allahu e ka bërë provë dhe shenjë për ju, që tregon vërtetësinë e fjalës dhe thirrjes sime, prandaj thjesht lëreni atë të ushqehet në tokën e Allahut dhe asgjë tjetër nuk ju kërkohet për ushqyerjen apo mbajtjen e saj, dhe mos i bëni asgjë të keqe (mos e vrisni), sepse përndryshe do ju vijë një dënim i afërt dhe i pashmangshëm nga Allahu.
[3] Ata e përgënjeshtruan Salihun (alejhis selam), kështu që e therën devenë e Allahut, dhe Salihu u tha atyre me kërcënim: «Kënaquni me jetën tuaj të kësaj bote edhe tri ditë, sepse pas këtyre tri ditëve do ju vijë dënimi i Allahut. Ky afat është premtim i Allahut, në të cilin nuk ju ka gënjyer ai që jua ka thënë, kështu që do ju vijë patjetër.
[4] Kur popullit Themud i erdhi dënimi Ynë, Ne e shpëtuam Salihun dhe ata që besuan bashkë me të, me mëshirë dhe mirësi nga Ne, dhe i shpëtuam ata nga poshtërimi i asaj dite dhe i atij dënimi. Pra, Allahu i shpëtoi ata edhe nga dënimi edhe nga poshtërimi i atij dënimi. Vërtet, Zoti yt është i Forti, dhe nëse e godet diçka, e shkatërron atë totalisht, ashtu si popullin Themud, dhe Atë nuk e sfidon askush dhe asgjë, sepse Ai është i Plotfuqishmi që nuk mposhtet, dhe Ai i shpëton të dërguarit e Tij dhe pasuesit e tyre.
[5] Ata që e mohuan Zotin e tyre, nga populli Themud, dhe të cilët therën devenë e Allahut, i kaploi një zë shumë i fortë dhe i tmerrshëm nga qielli, i cili i la kufoma të ngrira përtokë.
[6] U gdhinë kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre, dhe nga koha shumë e shpejtë që ndodhi asgjësimi dhe shkatërrimi i të gjithë atyre, ishte sikur të mos kishin jetuar ndonjëherë aty. Ky dënim i erdhi popullit Themud sepse ata mohuan Zotin e tyre, provat e Tij dhe të dërguarin e Tij, Salihun! Pra, larguar qoftë Themudi nga mëshira e Allahut!
[7] Allahu dërgoi tre engjëj, Xhibrilin, Mikailin dhe Israfilin, te Ibrahimi (alejhis selam), që ta përgëzonin atë dhe gruan e tij me djalin e tyre, Is’hakun. Ata e përshëndetën Ibrahimin me « Selam » dhe ai ua ktheu « selamin », pastaj i vendosi të ulen dhe u largua për pak çaste, dhe pa vonuar erdhi me një viç të majmë të posapjekur që vazhdonte të pikonte.
[8] Kur Ibrahimi (alejhis selam) pa se ata nuk i zgjatën duart të hanin nga viçi që u solli, nuk i pëlqeu dhe nuk i erdhi mirë, dhe ndjeu një frikë për veten dhe familjen e tij, se mos kishin ardhur t’i bënin keq. Kur engjëjt e panë që Ibrahimi u frikësua, i thanë : «Mos ki frikë! Ne jemi engjëjt e Zoti tënd dhe jemi dërguar për të dënuar popullin e Lutit.»
[9] Ndërkohë që engjëjt flisnin me Ibrahimin, gruaja e Ibrahimit, Sara, qëndronte pas perdes në këmbë dhe dëgjonte fjalët e tyre, dhe nga çudia e fjalëve të tyre, qeshi; ose qeshi kur pa se i erdhën menstruacionet, që ishin shenjë se ajo do të lindte një fëmijë, por Allahu përdor gjuhë të lartë dhe të hollë, në respekt të Sarës dhe moshës së saj (99 vjeçare). Atëherë engjëjt e përgëzuan atë duke e lajmëruar se nga burri i saj, Ibrahimi (alejhis selam), ajo do të lindte një djalë me emrin Is’hak, dhe pas Is’hakut do të kishte edhe një nip, që do të ishte Jakubi (alejhis selam).
-229-
- Ajo tha: “E mjera unë! A do të lind fëmijë duke qenë e moshuar, dhe ky, burri im është plak i vjetër! Me të vërtetë, kjo është diçka e çuditshme!”[1]
- Ata (engjëjt) thanë: “A çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimet i Tij qofshin mbi ju, njerëzit e shtëpisë profetike! Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar, i Lavdëruar!”[2]
- Pasi Ibrahimit i kaloi frika dhe mori lajmin e gëzueshëm, ai filloi të diskutojë me Ne për popullin e Lutit.[3]
- Vërtet, Ibrahimi ishte i urtë, i dhembshur dhe vazhdimisht i kthyer me pendim.[4]
- (Engjëjt thanë:) “O Ibrahim! Lëre këtë (diskutim), sepse urdhri i Zotit tënd ka ardhur tashmë dhe atyre do t’u vijë një dënim i pashmangshëm!”[5]
- Kur të dërguarit Tanë (engjëjt) erdhën te Luti, Ai u ndje keq, iu shtrëngua shpirti prej tyre dhe tha: “Kjo është një ditë e vështirë.”[6]
- Dhe, populli i tij erdhi me nxitim tek ai – ndërsa pak më parë kishin bërë vepra të këqija. Ai (Luti) tha: “O populli im! Këto janë bijat e mia (gratë e qytetit), ato janë më të pastra për ju. Kini frikë Allahun dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka në mesin tuaj ndonjë njeri me arsye?”[7]
- Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi ndonjë të drejtë (dëshirë) për bijat e tua, dhe në të vërtetë, ti e di se çfarë duam.”[8]
- Ai tha: “Ah, sikur të kisha fuqi kundër jush, ose të mbështetesha në një shtyllë të fortë!”[9]
- Ata (mysafirët) thanë: “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd; kështu që ata nuk mund të arrijnë tek ti. Nisu bashkë me familjen tënde gjatë një pjese të natës dhe askush prej jush të mos e kthejë kokën mbrapa, përveç gruas tënde; atë do ta godasë ajo që do të godasë edhe ata. Afati i tyre është mëngjesi; a nuk është mëngjesi afër?!”[10]
[1] E çuditur nga përgëzimi me Is’hakun, Sara tha : «E mjera unë! Si mund të lind fëmijë në këtë moshë të thyer (99 vjeç), dhe burri im është gjithashtu shumë i moshuar (120 vjeç) ? Lindja e fëmijës nga ata që janë në moshën tonë, është me të vërtetë diçka për t’u çuditur!
[2] Engjëjt i thanë Sarës: “A çuditesh nga urdhri dhe caktimi i Allahut? Mëshira e Allahut dhe mirësia e lumturia e dhuruar nga Ai qoftë mbi ju, o familja e shtëpisë profetike – e profetit Ibrahim! Allahu është i Falënderuar për mirësitë që ju ka dhënë juve, o shtëpia e profetit Ibrahim, dhe të gjithë krijesave të Tij, dhe Ai është i Lavdishëm dhe që përmendet vetëm me lavdërim dhe madhërim; prandaj falënderojeni dhe lavdërojeni Atë.
[3] Pasi Ibrahimit (alejhis selam) i kaloi frika që ndjeu kur miqtë e tij – engjëj – nuk e hëngrën ushqimin që u shtroi, dhe pasi mori lajmin e gëzueshëm për lindjen e djalit të tij, Is’hakut, Ibrahimi filloi të diskutonte me të dërguarit tanë (engjëjt), duke i kundërshtuar ata për ndëshkimin e popullit të Lutit dhe shkatërrimin e tyre, dhe duke i thënë se në atë fshat gjendet Luti, kështu që nuk mund ta shkatërroni; por ata i thanë që e dinin mirë se kush gjendej në të, dhe se Lutin dhe familjen e tij, do e shpëtonin.
[4] Ibrahimi (alejhis selam) ishte njeri i butë dhe nuk donte që të shpejtohej dënimi i një populli; ishte njeri i dhembshur dhe vazhdimisht i lutej Allahut për njerëzit dhe i përulej Allahut me adhurim dhe nënshtrim ndaj Urdhrit të Tij; por i shtyrë nga butësia dhe dhembshuria e tij, shpeshherë ai i kërkonte Allahut gjëra për të cilat qortohej nga Ai, por me delikatesë, me mënyrën e të Madhërishmit, dhe atëherë Ibrahimi kthehej menjëherë me pendim tek Allahu, dhe kthehej tek Ai në të gjitha çështjet e tij.
[5] Engjëjt i thanë Ibrahimit ta lërë diskutimin për ndëshkimit e popullit të Lutit, sepse tashmë caktimi dhe urdhri i Zotit kishte ardhur për ndëshkimin e tyre të merituar dhe të pashmangshëm e të pakthyeshëm.
[6] Kur engjëjt e dërguar nga Allahu për shkatërrimin e popullit të Lutit erdhën te Luti, ai u ndje keq dhe iu ngushtua shpirti prej tyre, sepse nuk e dinte që ishin të dërguarit e Allahut, por mendoi se ishin udhëtarë të rastit dhe miq, dhe kështu që u frikësua për ta nga populli i tij i shthurur, prandaj tha me vete: “Kjo është një ditë e vështirë dhe një ditë sprove e rëndë!”
[7] Kur populli i Lutit mësoi se tek Luti kishin ardhur mysafirë, u nisën me nxitim tek ai me qëllim të veprës së turpshme me mysafirët, ndërsa më parë kishin kryer vepër të turpshme duke shkuar burrë me burrë. Luti u tha atyre që të martoheshin me bijat e tij, d.m.th. me gratë e qytetit, të cilat për të dërguarin e Allahut janë në vend të bijave të tij, sepse ato janë më të pastra për ju se sa burrat me njëri-tjetrin. Kini frikë Allahun dhe dënimin e Tij, dhe mos më turpëroni duke sulmuar dhe dhunuar miqtë e mi! A nuk ka në mesin tuaj ndonjë njëri të pjekur dhe me arsye, që t’ju ndalojë nga vepra e shëmtuar dhe nga turpërimi para mysafirëve?
[8] Populli i tha Lutit: “Ti e di tashmë se ne nuk kemi dëshirë apo lakmi për gratë, dhe në të vërtetë, ti e di se çfarë duam; ne duam veçse burrat, dhe nuk kemi asnjë dëshirë apo lakmi kundrejt grave. Pra, duam mysafirët e tu.”
[9] Luti i tha popullit të tij: “Ah, sikur të kisha përkrahës dhe ndihmues kundër jush, ose të strehohesha dhe të mbështetesha në një fis të fortë, i cili më mbron nga ju, dhe kështu nuk do t’ju lejoja kurrë të arrinit atë që kërkoni nga mysafirët e mi!”
[10] Engjëjt thanë: “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, i Cili na ka dërguar që ta shkatërrojmë popullin tënd, kështu që ata nuk mund të arrijnë tek ti apo mysafirët e tu, prandaj qetësohu. Gjatë errësirës së natës, dil nga shtëpia bashkë me familjen tënde dhe largohuni nga qyteti, por askush nga ju të mos e kthejë kokën mbrapa, që të mos e shohë dënimin që do të zbresë mbi popullin tënd, se përndryshe do ta kapë edhe atë dënimi; me përjashtim të gruas tënde, e cila të ka tradhëtuar në fenë tënde me mohim dhe hipokrizi – ajo do e kthejë kokën mbrapa, ose përveç gruas tënde: d.m.th. atë (gruan) mos e merr me vete; sepse atë do e kapë dënimi që do të kapë edhe popullin tënd. Afati i dënimit të tyre është mëngjesi; a nuk është mëngjesi shumë afër dhe vjen shumë shpejt?!»
-230-
- Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e kthyem atë (qytetin) me kokë poshtë dhe mbi të lëshuam shi gurësh nga balta e pjekur me shtresa;[1]
- (gurë) të shënuar nga Zoti yt; dhe këto (gurë) nuk janë larg nga të padrejtët.[2]
- Popullit Medjen Ne i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Mos hani në matje e në peshë. Unë shoh që jeni në mirëqenie, por kam frikë për ju dënimin e një dite gjithëpërfshirëse.[3]
- O populli im! Matni dhe peshoni drejt, mos ua hani njerëzve hakun e tyre dhe mos u bëni prishës në Tokë![4]
- Ajo që ju mbetet nga Allahu (fitimi hallall), është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë; e unë nuk jam roja juaj.”[5]
- Ata thanë: “O Shuajb! Namazi yt të urdhëron që ne t’i lëmë ato që adhuronin të parët tanë, apo që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Ti qenke vërtet i urti dhe i zgjuari!”[6]
- Ai tha: “O populli im! Çfarë mendoni, nëse unë mbështetem në provë të qartë nga Zoti im, dhe Ai më ka furnizuar me furnizim të mirë nga Vet Ai …?! Unë nuk dua t’ju kundërshtoj duke vepruar vet atë që jua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm përmirësimin aq sa mundem. Suksesi im është vetëm nga Allahu; Atij i mbështetem dhe tek Ai kthehem.[7]
[1] Kur erdhi urdhri i Allahut për zbatimin e dënimit të popullit të Lutit me shkatërrimin dhe asgjësimin e tyre, Allahu urdhëroi engjët që ta kthenin qytetin dhe fshatrat e atij populli mëkatar me kokë poshtë, dhe sot e kësaj dite, në zonën e Detit të Vdekur janë të qarta krahët e engjëllit Xhibril, i cili i nguli krahët e tij në tokë, e shkuli qytetin dhe fshatrat përreth nga rrënjët, e ngriti deri në qiell, pastaj e lëshoi përmbys në vendin e tij, dhe kështu u formua Deti i Vdekur dhe zona më e ulët në Tokë, mbi 300 metër nën nivelin e detit. Pasi engjëjt e përmbysën qytetin e popullit të Lutit, Allahu lëshoi mbi të gurë nga balta e pjekur në shtresa, ku mbi secilin gur ishte shënuar një shenjë e veçantë nga Allahu, dhe ato nuk i ngjanin gurëve që gjenden në Tokë.
[2] Gurët që zbritën mbi popullin e Lutit ishin të shënuar me shenjë nga Allahu, dhe ato nuk i ngjanin gurëve të Tokës; dhe këto gurë që u lëshuan mbi popullin e Lutit nuk është larg, madje ka shumë mundësi që të lëshohen mbi të padrejtët idhujtarë e mohues të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), nëse ata nuk pendohen nga idhujtaria e tyre dhe nuk kthehen te Allahu me siqneritet e adhurim të pastër.
[3] Të bijtë e Medjenit, Ne dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin, i cili u tha atyre: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun dhe bindjuni Atij, sepse ju nuk keni zot dhe të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut. Mos hani në matje e në peshë – mos vidhni në kandar dhe mos i vidhni njerëzit padrejtësisht, sepse unë ju shoh të jetoni në kushte të mira jetese, por kam frikë se për shkak të idhujtarisë tuaj, përgënjeshtrimit të dërguarit të Allahut tek ju dhe vjedhjes në peshojë e matje, do ju përfshijë të gjithëve dënimi i një dite të pakthyeshme; pra, në ajet thuhet se dita është gjithëpërfshirëse, por qëllimi është se ndëshkimi i asaj dite është gjithëpërfshirës – që do i përfshije të gjithë mohuesit dhe idhujtarët e atij vendi.
[4] Matni dhe peshoni drejt, mos i hani njerëzve hakun e tyre dhe mos i vidhni ata, dhe mos ecni në tokë duke bërë mëkate dhe duke përhapur prishjen dhe të keqen!
[5] Fitimi që ju mbetet hallall nga furnizimi i Allahut, pasi që i jepni njerëzve hakun e tyre në peshojë dhe matje, është më i mirë për ju se ajo që i vidhni njerëzve duke i ngrënë hakun në peshojë, nëse jeni besimtarë, që besoni premtimin dhe paralajmërimin e Allahut, dhe që njihni hallallin dhe haramin. Unë nuk jam roja dhe mbikëqyrësi juaj, që t’ju ruaj kur matni e peshoni, por detyra ime është që t’ju përcjell shpalljen e Zotit tim, dhe unë e bëra këtë.
[6] Populli i Shuajbit tha: “Mos është ky namaz që fal ai që të urdhëron të na thuash që t’i lëmë idhujt dhe zotat që adhuronin prindërit tanë, apo që të mos jemi të lirë të kënaqemi me pasuritë tona dhe t’i fitojmë ato me rrugët që na pëlqen prej hileve dhe mashtrimeve? Ti qenke vërtet i urti dhe i zgjuari!” – duke u tallur me të.
[7] Shuajbi (alejhis selam) i tha popullit të tij: “Çfarë mendoni se duhet të bëj, nëse unë kam dhe mbështetem në provë të qartë nga Zoti im për atë në të cilën ju ftoj – në adhurimin e Allahut dhe largimin nga idhujtaria, si dhe në ndalimin nga ngrënia në peshojë dhe vjedhja e njerëzve të drejtat e tyre – ndërsa mua Allahu më ka dhuruar furnizim hallall e të begatë nga Vet Ai; a mos t’i bindem Atij dhe të mos e komunikoj shpalljen e Tij, dhe në vend të kësaj t’ju dëgjoj ju? Askush që ka pak logjikë nuk do e bënte këtë, kështu që as unë nuk do e bëj kurrësesi. Unë nuk dua ta bëj vetë atë që jua ndaloj juve, por bëj atë që ju urdhëroj edhe juve të bëni, dhe i ndalohem asaj që jua ndaloj edhe juve. Unë kam qëllim vetëm përmirësimin, me sa të mundem, me qëllim që të mos ju vijë dënimi i Allahut për shkak të mosbindjes ndaj Tij dhe kundërshtimit të dërguarit të Tij tek ju; dhe gjithësesi, suksesi im është vetëm nga Allahu në arritjen e përmirësimit të gjendjes suaj, sepse Allahu është Ai që mund të ndihmojë në këtë gjë; prandaj unë i mbështetem vetëm Allahut dhe ia besoj Atij të gjitha çështjet e mia, dhe kthem tek Ai me pendim dhe bindje ndaj urdhrave dhe ndalesave të Tij. Këto janë edhe dy gjërat më të rëndësishme, me të cilat rregullohen të gjitha çështjet e njerëzve: mbështetja dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu, dhe kthimi tek Ai me pendim dhe bindje ndaj Tij.
-231-
- O populli im! Kundërshtimi ndaj meje të mos ju çojë që t’ju ndodhë ashtu si i ndodhi popullit të Nuhut, popullit të Hudit ose popullit të Salihut; e, populli i Lutit nuk ka qenë larg nga ju![1]
- Kërkoni falje nga Zoti juaj pastaj kthehuni tek Ai me pendim. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë, i Dashur.”[2]
- Ata thanë: “O Shuajb! Ne nuk kuptojmë shumë nga ato që thua ti, dhe ne të shohim të dobët në mesin tonë. Sikur të mos ishte fisi yt, do të të kishim vrarë me gurë; dhe ti nuk je i shtrentjë për ne.”[3]
- Ai tha: “O populli im! A është fisi im më i respektuar për ju se Allahu, të Cilin e keni vendosur pas shpine? Me të vërtetë, Zoti im përfshin (me dije) gjithçka që bëni ju.[4]
- O populli im! Punoni sa të mundeni, se edhe unë do të punoj. Shpejt do ta mësoni se kujt do t’i vijë dënim që do ta poshtërojë dhe kush është gënjeshtar. Ruani, se edhe unë po ruaj bashkë me ju.”[5]
- Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e shpëtuam Shuajbin dhe ata që besuan bashkë me të, me mëshirë nga Ne, kurse ata që bënë padrejtësi i kaploi britma dhe u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre;[6]
- sikur të mos kishin jetuar kurrë në to. Larguar qoftë populli i Medjenit, ashtu si u largua Themudi![7]
- Ne e dërguam Musain me provat Tona dhe me një autoritet të qartë[8]
- te Faraoni dhe paria e tij, por ata ndoqën urdhrin e Faraonit, megjithëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.[9]
[1] Shuajbi (alejhis selam) vazhdon t’i thotë popullit të vet: “Mos lejoni që kundërshtimi, urrejtja dhe armiqësia juaj ndaj meje, të bëhet shkak që ju të vazhdoni me këmbëngulje në idhujtarinë tuaj dhe në vjedhjen në peshojë, dhe të mos ktheheni me pendim dhe falje te Allahu, dhe si pasojë t’ju vijë dënim i njëjtë me atë që i erdhi popullit të Nuhit, popullit të Hudit apo popullit të Salihut; dhe kujtoni se populli i Lutit nuk ka qenë larg nga ju, gjeografikisht apo në kohë! Pra, a nuk po merrni mësim nga popujt e mëparshëm që u shkatërruan, dhe të mos bëni si bënë ata, që të mos ju gogasë ajo që goditi ata?!
[2] Kërkoni falje nga Zoti juaj për adhurimin e idhujve dhe ngrënien e hakut të njerëzve, pastaj kthehuni menjëherë në bindjen ndaj Allahut duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, që të shpëtoni dhe të mos ju vijë dënimi si popujve të mëparshëm. Vërtet, Zoti im është Mëshirëplotë ndaj çdokujt që pendohet dhe kthehet tek Ai, dhe Ai është i Dashur me atë që kthehet tek Ai dhe i nënshtrohet Atij.
[3] Populli i Shuajbit tha: “O Shuajb! Ne nuk e kuptojmë dhe nuk e dimë të vërtetën dhe domethënien e shumë prej atyre që na thua – në fakt e kuptonin mirë, por e thoshin këtë nga urrejtja që kishin ndaj tij dhe ndaj thirrjes së tij; dhe ne të shohim të dobët në mesin tonë dhe nuk të shohim të jesh nga të mëdhenjtë apo fisnikët. Sikur të mos merrnim në konsideratë fisin tënd, do të të kishim vrarë me gurë – fisi i tij ishte në të njëjtën fe si ata, prandaj e respektonin; dhe ti nuk gëzon ndonjë vlerë apo respekt tek ne, kështu që mund të përçmojmë pa ndonjë problem.
[4] Shuajbi i tha popullit të tij mohues e idhujtar: “A po respektoni e vlerësoni fisin tim që janë njerëz si ju, më shumë se Allahun, të Cilin e keni lënë pas shpine dhe nuk i zbatoni urdhrat e Tij, nuk i largoheni ndalesave të Tij, nuk i frikësoheni dënimit të Tij dhe nuk e madhëroni Atë ashtu si i takon Madhështisë së Tij? Por, Zoti im përfshin me dijen e Tij gjithçka që bëni ju, në detaje dhe pa i shpëtuar asgjë; dhe Ai do ju shpërblejë për gjithçka veproni ashtu si e meritoni, në këtë botë dhe në botën tjetër.
[5] O populli im! Veproni sa të mundeni në mënyrën dhe besimin tuaj, se edhe unë do të veproj dhe do të qëndroj pa u lëkundur në rrugën që më ka dhuruar Zoti im dhe në thirrjen time për të Njësuar Allahun. Shumë shpejt do e mësoni se cilit nga ne do i vijë ndëshkimi i Allahut me të cilin do të poshtërohet, dhe cili është gënjeshtar, unë apo ju? Ruani dhe prisni çfarë do të ndodhë me ju, sepse edhe unë bashkë me ju do të pres dënimin tuaj.
[6] Kur erdhi urdhri dhe caktimi i Allahut për dënimin e popullit të Shuajbit, Allahu e shpëtoi nga ai dënim të dërguarin e Tij, Shuajbin (alejhis selam) dhe ata që e besuan atë, me mëshirë nga Ai; kurse ata që e mohuan Zotin e tyre, i kaploi një zë shumë i fortë dhe i tmerrshëm nga qielli, i cili i la ata kufoma të ngrira përtokë. Thuhet se Xhibrili (alejhis selam) lëshoi një britmë aq të fortë e të tmerrshme, sa që i nxori shpirtrat nga trupat e tyre, dhe trupat e tyre mbetën të ngrirë në gjunj ose të shtrirë, në atë pozicion që ishin kur dëgjuan britmën.
[7] Ata u shuan të gjithë, sikur të mos kishin jetuar dje apo më parë në atë vend. Allahu e largoftë Medjenin nga mëshira e Tij, ashtu si e largoi më parë Themudin nga mëshira e Tij, duke zbritur dënimin e Tij mbi ta!
[8] Allahu e dërgoi Musain (alejhis selam) me prova dhe argumente të qarta që vërtetonin se Allahu është Një dhe i Pashoq dhe se Musai ishte i dërguar nga Allahu; dhe se kushdo që pretendonte se ishte zot, ai ishte gënjeshtar mendjelehtë dhe kryeneç, dhe se ata që i shoqëronin Allahut ortak në adhurim, ishin në humbje të sigurtë dhe i priste dënim i rëndë nëse nuk ktheheshin tek Allahu me pendim.
[9] Allahu e dërgoi Musain te Faraoni dhe paria e tij në oborrin perandorak, por Faraoni dhe paria e tij e përgënjeshtruan Musain dhe e mohuan Allahun; kurse paria e Faraonit ndoqi urdhrin e Faraonit dhe u bindën ndaj tij, duke përgënjeshtruar Musain dhe duke e kundërshtuar atë që ai u kishte sjellë nga Allahu; megjithëse urdhri i Faraonit për të përgënjeshtruar Musain nuk i çonte ata në rrugën e drejtë dhe të mirë për ta, por i çonte në zjarrin e Xhehenemit.
-232-
- Ai (Faraoni) do t’i paraprijë popullit të tij në Ditën e Kiametit dhe do t’i çojë ata në zjarr. Sa i keq është vendi ku do të çohen![1]
- Ata u ndoqën nga një mallkim në këtë botë dhe në ditën e Kiametit. Sa e keqe është mbështetja që do të kenë![2]
- Këto janë disa nga historitë e qyteteve të mëparshme që po t’i tregojmë ty (o Muhamed); disa prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë ende, kurse të tjera janë zhdukur.[3]
- Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetvetes. Zotat që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk iu bënë aspak dobi, kur erdhi urdhri i Zotit tënd, dhe nuk i shtuan atyre asgjë tjetër, përveç shkatërrimit.[4]
- E tillë është kapja e Zotit tënd, kur Ai kap qytetet ndërsa bëjnë padrejtësi. Me të vërtetë, kapja e Tij është e dhembshme, e fortë.[5]
- Vërtet, në këtë ka provë për ata që i frikësohen dënimit të botës tjetër. Ajo është një Ditë për të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit, dhe ajo është një Ditë e dëshmuar.[6]
- Ne nuk e vonojmë atë (ditën e Kiametit), veçse deri në një afat të caktuar.[7]
- Kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të flasë përveçse me lejen e Tij; disa prej tyre do të jenë të mjerë e disa të lumët.[8]
- Sa u përket të mjerëve, ata do të jenë në zjarr, ku do të lëshojnë zëra të shëmtuar me çdo frymënxjerrje e frymëmarrje.[9]
- Aty (në zjarr) do të qëndrojnë përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe Toka, përveç asaj që do Zoti yt. Me të vërtetë, Zoti yt vepron çfarë të dojë.[10]
- Kurse të lumët do të jenë në Xhenet, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe Toka, përveç asaj që do Zoti yt – një dhuratë e pandërprerë.[11]
[1] Faraoni do i prijë popullit të vet në ditën e Kiametit dhe do të futet në zjarrin e Xhehenemit bashkë me ta. Sa vend i keq dhe i tmerrshëm është ai ku do të futen!
[2] Faraoni dhe populli i tij mohues u ndoqën nga një mallkim në këtë botë, bashkë me dënimin e Allahut me mbytjen e tyre në det, dhe po ashtu u ndoqën nga mallkim tjetër në botën tjetër ku do të hyjnë përgjithmonë në zjarr. Mbështetja dhe përkrahja e tyre do të jetë dënimi dhe mallkimi i Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër – sa e keqe që është mbështetja që do u mblidhet njëra mbi tjetrën: mallkim mbi mallkim.
[3] Këto histori që po t’i tregojmë në këtë sure, o Muhamed, janë nga historitë e qyteteve dhe qytetërimeve të mëparshme, banorët e të cilëve Ne i kemi dënuar dhe shkatërruar për shkak të mohimit që ata i bënë Allahut dhe përgënjeshtrimit që i bënë të dërguarve të Allahut; disa prej atyre qyteteve vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë gjurmë edhe sot, megjithëse banorët e tyre janë shdukur, kurse disa qytete të tjera janë zhdukur totalisht dhe nga ato nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Po t’i tregojmë këto histori, o Muhamed, që të jenë provë dhe argument për profetesinë tënde, sepse janë histori të një kohe të shkuar dhe të panjohur nga njerëzit bashkëkohës të tu, dhe që të jenë gjithashtu mësim dhe paralajmërim për popullin tënd.
[4] Dënimi i popujve të atyre qyteteve që i shkatërruam nuk ishte pa shkak, por ishte sepse ata i bënë padrejtësi vetvetes me idhujtarinë dhe prishjen që bënin në Tokë; dhe idhujt që ata adhuronin në vend të Allahut nuk iu bënë asnjë dobi atyre kur erdhi urdhri i Allahut për dënimin e tyre, madje idhujt nuk iu shtuan atyre veçse humbjen dhe shkatërrimin.
[5] E tillë është kapja me dënim e Zotit tënd, o Muhamed, kur Ai i dënon njerëzit e qyteteve që bëjnë padrejtësi duke kundërshtuar urdhrin e Tij, duke përgënjeshtruar të dërguarët e Tij, duke adhuruar idhujt dhe duke bërë prishje e krime në Tokë; kapja e Allahut me dënim është vërtet e dhembshme dhe e fortë; prandaj mos bëni edhe ju si ata popuj që u ndëshkuan, se përndryshe do tju kapë edhe ju ajo që i kapi ata.
[6] Në kapjen me dënim të popujve të mëparshëm ka provë dhe mësim për ata që kanë frikë dënimin e Allahut në botën tjetër; që të druhen dhe të mos bëjnë si ata, që të mos kenë fatin dhe përfundimin e tyre në botën tjetër, dhe në ditën e Kiametit, kur do të tubohen të gjithë njerëzit për të dhënë llogari dhe për të marrë shpërblimin apo dënimin e tyre; dhe ajo është një ditë e dëshmuar nga të gjitha krijesat e Allahut pa përjashtim.
[7] Ne nuk e vonojmë ditën e Kiametit nga ju, veçse deri sa të vijë afati i saj i caktuar nga Ne që më parë; afat që nuk ndryshon me afrim apo shtyrje, por do të ndodh ekzaktësisht në kohën që i kemi caktuar Ne, me urtësinë Tonë absolute.
[8] Kur të vijë dita e Kiametit dhe e Llogarisë, askush prej krijesave nuk do të flasë veçse me lejen e Allahut; disa prej krijesave do të jenë të mjera, sepse meritojnë dënimin e Allahut, kurse disa të tjera do të jenë të lumëta me mirësinë e Allahut dhe xhenetin e Tij.
[9] Sa i përket atyre që fituan mjerimin për shkak të mosbesimit dhe veprave të tyre të këqia në këtë botë, vendi i tyre do të jetë zjarri i Xhehenemit, ku për shkak të vuajtjes së madhe nga dënimi, do të lëshojnë zërat më të shëmtuar që ekzistojnë me çdo nxjerrje apo marrje të frymës; zëra që i ngjajnë fillimit të pëllitjes së gomarit dhe fundit të saj.
[10] Të mjerët do të jenë në zjarrin e Xhehenemit përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe Toka tjetër – sepse në ditën e Kiametit, qiejt dhe Toka aktuale do të ndërrohen me qiej dhe Tokë tjetër (Ibrahim, ajeti 48) – përveç asaj kohe që do Allahu të mos jenë në zjarr; ky përjashtim mund të ketë qëllim kohën e qëndrimit në varre, ose në ditën e dhënies llogari, që do të zgjasë 50 mijë vjet, apo ata muslimanë mëkatarë të cilët do të dënohen në zjarr për një kohë të caktuar, pastaj do të dalin nga zjarri dhe do të futen në Xhenet; pa dyshim se Allahu ka fuqi dhe mundësi të veprojë si dhe çfarë të dojë, pa e penguar asgjë dhe pa pyetur askënd, dhe Ai vepron me urtësinë dhe dijen e Tij absolute.
[11] Kurse të lumët, të cilëve Allahu u dhuroi lumturinë me mëshirën e Vet, do të jenë në Xhenet, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe Toka tjetër, pa mbarim, përveç asaj kohe që do Allahu të mos jenë në Xhenet, siç janë muslimanët mëkatarë që do të dënohen fillimisht në zjarr për mëkatet e tyre, pastaj do të futen në Xhenet – kjo është një dhuratë e pandërprerë për ta nga Zoti i tyre.
-233-
- Mos ki dyshim (o Muhamed) për atë që adhurojnë këta (idhujtarët); ata nuk adhurojnë ndryshe, veçse si adhuronin etërit e tyre më parë. Padyshim, Ne do t’ua japim atyre pjesën e tyre të plotë, pa ua pakësuar aspak.[1]
- Ne edhe Musait i dhamë Librin, por rreth tij pati kundërshtim. Sikur të mos ishte thënë më parë një Fjalë nga Zoti yt, do të ishte gjykuar mes tyre. Vërtet, ata janë në një dyshim shqetësues në lidhje me të (Kuranin).[2]
- Me të vërtetë, çdonjërin prej tyre, Zoti yt do t’a shpërblejë plotësisht për veprat e veta; Ai është Gjithënjohës për atë që bëjnë ata.[3]
- Prandaj, qëndro në rrugën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar, dhe po kështu të bëjnë ata që janë penduar bashkë me ty; dhe mos i kaloni kufijtë. Me të vërtetë, Ai sheh gjithçka që ju veproni.[4]
- Dhe mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, përndryshe do t’ju kapë Zjarri dhe nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut, pastaj nuk do të ndihmoheni.[5]
- Fale namazin në dy skajet e ditës dhe në një pjesë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i fshijnë veprat e këqija. Kjo është kujtesë për ata që kujtojnë.[6]
- Dhe duro, sepse me të vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin atyre që bëjnë mirë.[7]
- Përse të mos kishte, ndër brezat para jush, njerëz me mend, që të ndalonin nga prishja në Tokë – përveç një numri të vogël që Ne i shpëtuam prej tyre?! Por ata që bënë padrejtësi, shkuan pas luksit që iu dha dhe ishin keqbërës.[8]
- Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, ndërsa banorët e tyre ishin duke vepruar mirë.[9]
[1] Mos ki dyshim, o Muhamed, për kotësinë dhe humbjen e idhujve dhe zotave që adhurojnë idhujtarët nga populli yt; sepse ata adhurojnë idhujt njësoj si vepronin edhe baballarët e tyre më parë dhe duke i imituar ata verbërisht, dhe jo se kanë ndonjë urdhër apo provë nga Allahu. Padyshim, Allahu do ua japë atyre pjesën që ka caktuar për ta në këtë botë, pa ua pakësuar aspak, sepse ky është caktim i Allahut për të gjitha krijesat e Tij në këtë botë, kështu që të mos ju mashtrojë kjo gjë dhe të mendoni se dikush që Allahu i ka dhënë nga të mirat e dynjasë, do të thotë se Allahu e do atë, sepse Allahu i jep furnizim në dynja atyre që do dhe atyre që nuk i do, me urtësinë e Tij, por besimin ia jep vetëm atyre që i do; pastaj do të shpërblejë secilin sipas asaj që ka vepruar dhe që meriton.
[2] Ne edhe Musait i dhamë Teuratin, por rreth tij pati kundërshtim mes bijve të Izraelit; disa e besuan, kurse të tjerë e mohuan, njësoj siç bëri populli yt me Kuranin, o Muhamed, prandaj mos u mërzit nga përgënjeshtrimi që të bëjnë ty, por vazhdo rrugën dhe misionin tënd për përcjelljen e shpalljes së Allahut. Sikur Allahu të mos kishte thënë një Fjalë më parë dhe të mos kishte caktuar që nuk do ia përshpejtonte dënimin njerëzve në dynja, deri në afatin e caktuar, do të ishte gjykuar menjëherë mes përgënjeshtruesve dhe besimtarëve, duke dënuar dhe shkatërruar përgënjeshtruesit dhe duke shpëtuar besimtarët. Vërtet, mohuesit dhe përgënjeshtruesit prej hebrenjve dhe idhujtarëe janë në dyshim shqetësues dhe pështjellues të pafund në lidhje me vërtetësinë e Kuranit, nëse është i vërtetë apo jo.
[3] Çdonjërin prej popujve që t’i kemi përmendur historitë e tyre në Kuran, o Muhamed, do ua japim të plotë shpërblimin për veprat e tyre në ditën e Kiametit; të mirat me shpërblim të mirë dhe të këqiat me të keq. Zoti yt e di mirë dhe në detaje se çfarë kanë vepruar dhe veprojnë idhujtarët prej popullit tënd, o Muhamed, dhe Atij nuk i shpëton asgjë nga veprat e tyre, kështu që të kenë kujdes, sepse do të marrin ndëshkimin që meritojnë, njësoj si ata që kanë qenë para tyre.
[4] Qëndro në rrugën e drejtë dhe fenë e Vërtetë, dhe vazhdo të ftosh në të, o i Dërguar, ashtu si të ka urdhëruar Allahu, dhe po kështu të bëjnë ata që janë kthyer me pendim tek Allahu dhe bindje ndaj Tij; dhe mos i kaloni kufijtë duke vepruar gjëra që Ai ua ka ndaluar! Vërtet, Zoti juaj, o njerëz, sheh gjithçka që ju veproni, të mirat dhe të këqiat, dhe i di mirë ato, e nuk i shpëton asgjë prej tyre; prandaj kini frikë Allaun dhe ruhuni që të mos ju shohë duke vepruar diçka që jua ka ndaluar.
[5] Mos anoni, o njerëz, nga fjala e atyre që kanë bërë padrejtësi me mohimin e Allahut dhe idhujtarinë; mos anoni nga ata duke pranuar fjalën e tyre dhe duke ju pëlqyer veprat e tyre, se përndryshe do t’ju kapë zjarri për këtë shkak, dhe nuk do të keni snjë ndihmues përveç Allahut, që t’ju ndihmojë e t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe sigurisht që Allahu nuk do t’ju ndihmojë, nëse anoni nga mohuesit, por do e largojë ndihmën e Tij nga ju dhe do lejojë që armqitë tuaj t’ju pushtojnë.
[6] Fale namazin në mënyrën më të mirë dhe më të plotë në dy skajet e ditës, në mëngjes dhe në mbrëmje – këtu mund të përfshihet namazi i mëngjesit (fexhr), i drekës (dhuhr) dhe i mbasdites (asr); dhe në një pjesë të natës – ku mund të përfshihet namazi i akshamit, i darkës (isha) dhe namazi i natës bashkë me vitrin. Vërtet, veprat e mira – siç janë pesë namazet e detyrueshme të ditës dhe të natës bashkë me namazet vullnetare që shoqërohen me to – i fshijnë veprat e këqija dhe gjurmët e tyre, prandaj shtoni sa më shumë veprat e mira. Kjo është kujtesë dhe këshillë për ata që kujtojnë dhe marrin mësim e pranojnë këshillë.
[7] Duro në kryerjen e namazit rregullisht, o ti i dërguar dhe o ju besimtarë, dhe duroni dëmtimin që ju vjen nga idhujtarët dhe mohuesit për shkak të fesë suaj, duke shpresuar shpërblimin e madh të Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin atyre që bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij, por ua jep atyre atë shpërblim në kohën dhe vendin që iu duhet më shumë.
[8] Përse të mos kishte nga brezat e mëparshëm, historitë e të cilëve i kemi treguar në Kuran, njerëz të urtë e të drejtë, që t’i ndalonin njerëzit nga idhujtaria dhe prishja në Tokë, me përjashtim të një numri shumë të vogël që besuan bashkë me profetët, të cilët Allahu i shpëtoi për shkak të besimit nga dënimi që zbriti mbi të padrejtët dhe idhujtarët. Në vend të kësaj, të gjithë ata që i bënë padrejtësi vetvetes me mohim e idhujtari prej atyre brezave, ndoqën luksin dhe kënaqësitë e kësaj bote, dhe ishin keqbërës e të padrejtë, sepse në vend që të falënderonin Allahun për të mirat dhe begatitë që i kishte dhuruar, ata e mohonin Atë dhe silleshin me mendjemadhësi, si dhe pengonin njerëzit nga besimi dhe rruga e Allahut, prandaj edhe u erdhi dënimi i shpejtë në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret dënimi i përhershëm.
[9] Zoti yt, o Muhamed, nuk do të kishte shkatërruar asnjë nga qytetet që i shkatërroi, nëse banorët e atyre qyteteve do të ishin duke vepruar mirë, në bindje ndaj Zotit të tyre dhe duke rregulluar e përmirësuar në Tokë, sepse kjo do të ishte padrejtësi, por Zoti yt nuk bën kurrë padrejtësi, dhe Ai nuk i dënoi banorët e atyre qyteteve veçse për shkak të mohimit, idhujtarisë, veprave të tyre të këqia dhe prishjes në Tokë.
-234-
- Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i bënte të gjithë njerëzit një bashkësi të vetme, por ata do të vazhdojnë të jenë të ndryshëm,[1]
- përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt; se për këtë i ka krijuar ata. Fjala e Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhind dhe njerëz, të gjithë së bashku!”[2]
- Çdonjëra prej historive të të dërguarve, që Ne të tregojmë ty (o Muhamed), është për të forcuar zemrën tënde. Në këto, ty të ka ardhur e vërteta, paralajmërim dhe kujtesë për besimtarët.[3]
- Dhe thuaju atyre që nuk besojnë: “Punoni sa të mundeni, se edhe ne jemi duke punuar,[4]
- dhe pritni, se edhe ne jemi duke pritur!”[5]
- Allahut i takon e fshehta e qiejve dhe e Tokës dhe tek Ai kthehet e gjithë çështja. Pra, adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai! Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni ju.[6]
[1] Sikur të kishte dashur Zoti yt, o Muhamed, do t’i kishte bërë të gjithë njerëzit e çdo kohe dhe të çdo vendi në një bashkësi dhe në një fe të vetme që është Islami, por Ai nuk e deshi këtë për një urtësi që e di Ai, kështu që njerëzit dhe popujt do të vazhdojnë të jenë të ndryshëm në fetë dhe drejtimet e dëshirat e tyre.
[2] Njerëzit do të vazhdojnë të ndjekin fe dhe rrugë të ndryshme, me përjashtim të atyre që ka mëshiruar Allahu dhe i ka udhëzuar në Islam, që kanë besuar Allahun dhe të dërguarit e Tij; këta nuk kundështohen me njëri-tjetrin në besimin e tyre dhe Njësimin e Allahut; por urtësia e Allahut është që njerëzit të ndjekin rrugë të ndryshme dhe të ndahen në dy grupe: një grup i mjerë dhe një grup i lumët, ku secilit grup i lehtësohet të veprojë ato vepra për të cilat është krijuar – grupi i zjarrit vepron veprat që e çojnë në zjarr dhe grupi i xhenetit vepron veprat që e çojnë në xhenet me mëshirën e Allahut. Në këtë mënyrë përmbushet Fjala dhe Caktimi i Allahut, se Ai do e mbush xhehenemin me të gjithë ata xhind e njerëz që ndoqën djallin e mallkuar dhe nuk ndoqën rrugën e besimit.
[3] Ne të tregojmë ty, o Muhamed, nga historitë e të dërguarve tanë që kanë qenë para teje, gjithçka që të nevojitet për të forcuar zemrën tënde, me qëllim që të përmbushësh misionin tënd në komunikimin e shpalljes së Allahut dhe ftesës së njerëze në fenë e Allahut. Në këtë sure dhe në këto histori që të tregojmë në Kuran, ty të ka ardhur e vërteta nga Allahu, që tregon vërtetësinë e fjalës dhe thirrjes tënde; dhe këto histori janë këshillë dhe paralajmërim për mohuesit, me qëllim që të kthehen nga mosbesimi i tyre; dhe kujtesë për besimtarët, me qëllim që të mos neglizhojnë në detyrimin që kanë ndaj Allahut.
[4] Thuaju, o Muhamed, atyre që nuk e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij: “Punoni sa të mundeni në mënyrën dhe rrugën tuaj, në mohim e idhujtari, dhe në dëmtim të të Dërguarit të Allahut dhe të besimtarëve, se edhe ne jemi duke punuar ashtu si na ka urdhëruar Allahu.
[5] Dhe pritni atë që ju ka premtuar djalli dhe përfundimin e secilit nga ne, se edhe ne po presim atë që na ka premtuar Allahu prej fitores sonë dhe humbjes suaj.
[6] Allahut i takon sundimi dhe dija e çdo gjëje të fshehtë në qiej e në Tokë, dhe Atij nuk i shpëton asgjë nga ato që bëjnë idhujtarët e mohuesit, dhe asgjë tjetër në qiej apo në Tokë, dhe tek Allahu do të kthehet e gjithë çështja në ditën e Kiametit, për çdo njeri dhe për çdo vepër që ka bërë secili, dhe të gjitha çështjet e krijesave të Tij; dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas asaj që meriton; prandaj, adhuroje Zotin tënd pa i shoqëruar asnjë ortak Atij, dhe mbështetu tek Ai në të gjitha çështjet e tua, sepse Ai të mjafton ty dhe i mjafton çdokujt që i mbështetet Atij. Zoti yt, o Muhamed, nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni ju, por di dhe regjitstron gjithçka që ju bëni, pastaj do e shpërblejë secilin sipas veprës së vet.