MARTESA

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Enes Ajdini


Parathënie

                                                                                                        

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej ligësisë së shpirtrave tanë dhe të këqijave të punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush ta humbasë dhe atë që Allahu e humb, nuk ka kush ta udhëzojë.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një të Vetëm e të Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është  rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja e Allahut dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij!

Ndihem vërtet i lumtur që m’u dha rasti të marr pjesë në keto leksione të këtij manifestimi kulturor, të cilin e organizojnë “Fakulteti i Sheriatit (legjislacionit islam)” dhe ai i “Gjuhës arabe” këtu në qytetin e Kasim-it. Ajo ç’ka i jep zë gëzimit tim, është pikërisht dobia, që shpresoj ta përfitoj unë vetë dhe kushdo që do të dëgjojë apo lexojë ligjëratën time, me dëshirën e Allahut. E lus Allahun e Madhëruar që t’i bëjë të gjitha punët tona, të sinqerta në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe në përputhje me atë që Ai e do dhe është i kënaqur me të!

Mirëpo, unë para se të hyj në zemër të temës të cilën e kam përgatitur, do të kisha dëshirë të flisja dy fjalë në lidhje me atë realitet të hidhur të cilin ne të gjithë e përjetojmë. Bëhet fjalë për faktin se feja islame sot luftohet në shumë drejtime:

1. Nga ana ideologjike.

2. Nga ana morale.

3. Nga ana e besimit.

Është më se e natyrshme, që sa herë të forcohen dhe egërsohen këto sulme ndaj fesë sonë, të ketë në ballafaqim kundërveprues dhe neutralizues në të njëjtin nivel, madje pse jo, edhe më superior se ato. E nëse nuk ndodh kështu, atëherë vërtet Islamin e ka kapluar një disfatë e rëndë.

S’ka dyshim se kjo është detyrë parësore e dijetarëve dhe e prijësave te fesë në veçanti, të cilët duhet të përpiqen me të gjitha forcat për t’i ndaluar këto rryma të cilat u janë vërsulur muslimanëve nga të gjitha anët. Ato kanë bërë që muslimanët e thjeshtë, madje edhe intelektualët prej tyre të jenë te hutuar dhe konfuzë; nuk dinë se nga t’ja nisin për të reaguar.

Kemi dëgjuar shpesh prej armiqve të islamit të thonë: Përqëndrimi ynë parësor duhet të jetë mbi Mbretërinë e Arabisë Saudite, pasi ajo është djepi i fesë islame, pikëreferimi i muslimanëve dhe udhëheqja e tyre. Pikërisht për këtë arsye, vazhdimisht hasim sulme të egra, të njëpasnjëshme dhe intriga të shumta, të përpiluara me delikatesë dhe dinakëri, të adresuara në drejtim te mbretërisë sonë.

Nëse qytetari i kësaj mbretërie, e sidomos dijetarët dhe intelektualët e sinqertë të saj, nuk i bëjnë ballë kësaj stuhie dhe t’i përplasin derën në fytyrë, atëherë nuk është çudi kur ajo t’u shkundë themelet e t’u shëmbë muret, e atëherë vërtet do të shihni gjëra për të cilat do t’u vijë hidhur.

Ajo çka del si detyrë për ne vëllezër, karshi këtyre rrymave është:

1. Njësimi i thirrjes sonë.

2. Bashkimi dhe njësimi i përpjekjeve tona.

3. Të mos lejojmë që armiku të gjejë në mesin tonë pikëmbështetje dhe ndihmëtar.

 

Mirëpo, unë e them me sinqeritet të plotë se edhe pse ne punojmë për realizimin e kësaj dhe qëllimi ynë mund të jetë i përbashkët, në të vërtetë nuk gjen dy persona bashkë, përveç atyre që Allahu u ka dhënë sukses, të punojnë duke ndjekur metodologji të njëjtë në realizimin e këtij qëllimi. Prandaj e theksoj edhe një here se është detyrë e domosdoshme për dijetarët e këtij vatani, pa marrë parasysh se ku ndodhen, në Rijad, Hixhaz, Kasim apo tjetërkund, që ta njësojnë fjalën e tyre dhe t’i kushtojnë këtyre çështjeve një rëndësi parësore, sepse për mendimin tim, ato me të vërtetë janë çështje serioze e delikate.

Ky problem kërkon një studim rrënjësor dhe të gjithanshëm, ku pjesë e problemit në të duhet të jenë mjetet e komunikimit masiv (mass media), aktivitetet kulturore, programet mësimore, si dhe pa harruar këtu shtrembërimet morale dhe largimin e njerëzve nga mësimet bazë të fesë së tyre dhe degët e saj.

Gjithashtu është për të ardhur keq kur shikon se si shumë prej nxënësve të dijes, në vend që t’i preokupojë marrja e dijes dhe të punuarit me të, i gjen ata të rendin pas dynjasë dhe grumbullimit të pasurisë. E kjo patjetër që e dobëson thirrjen e tyre për tek e mira dhe bëhet pengesë për pranimin e saj nga ana e njerëzve të thjeshtë. Morali i thirrësit luan nje rol më se të rëndësishëm në pranimin e asaj për tek e cila ai thërret. Nëse populli i thjeshtë nuk do të shihte tek dijetarët dhe thirrësat veçse të rendurit e tyre pas pasurisë dhe kënaqësive të kasaj bote, ashtu siç veprojnë edhe njerëzit e rëndomtë, atëherë ata kurrsesi nuk do të kenë besim tek ata dhe nuk do të ndikoheshin prej dijes dhe udhëzimit të tyre për tek e mira.

E njëjta gjë vlen edhe për udhëheqësit tanë. Është detyrë e jona që ata t’i këshillojmë, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“Feja është këshillë”, dhe e ka përsëritur këtë tre herë. (Sahabët) Thanë: “Për kë o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërgarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe popullin në përgjithësi.”[1]

Pra, e theksoj edhe një herë se është detyrë e jona që t’i këshillojmë prijësit tanë dhe nuk duhet që asnjëri prej nesh të mendojë se kjo është detyrë e një, dy, tre apo katër vetëve që të jenë këshilltarë të prijësave.

Nëse këshilla e përzemërt do t’u drejtohej atyre nga shumë persona dhe e vërteta do t’u bëhej e qartë nga të gjitha anët, atëherë me siguri që ata do ta pranojnë atë dhe do të ndjekin udhëzimin e pastër dhe metodologjinë e drejtë, rrugën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë për të cilën lusim Allahun e Madhëruar që t’u japi sukses në zbatimin dhe realizimin e saj, haptazi dhe në fshehtësi!

Po ashtu, edhe në lidhje me popullin e thjeshtë, për fatin e keq gjejmë në shumicën e xhamive se imamët e tyre janë injorantë dhe shumë pak të arsimuar. Ata nuk i udhëzojnë njerëzit, nuk i këshillojnë dhe shumë pak u tërheqin vërejtje atyre. Ndryshe ishte realiteti kohë më parë, atëherë kur njerëzve ende nuk u ishte hapur dynjaja me stolitë e saj, imami edhe pse ndoshta nuk ishte nxënës i dijes, ai merrte ndonjë libër të cilin e shihte të përshtatshëm dhe ua lexonte njerëzve e përfitonin prej tij.

Ndërsa sot, në shumicën e xhamive kjo nuk ndodh. Imami nuk e vret shumë mendjen që t’i udhëzojë njerëzit dhe t’i këshillojë ata për atë që u bën dobi atyre, e si rrjedhojë i gjen njerëzit tepër injorantë dhe të paditur në lidhje me fenë e tyre. E gjithë kjo si pasojë e neglizhencës së drejtuesve të fesë dhe autoriteteve fetare. Pra, le të bashkohemi vëllezër dhe t’i unifikojmë përpjekjet tona, t’i këshillojmë prijësit tanë dhe të përpiqemi me të gjitha forcat që ta udhëzojmë popullin tonë, duke mos e kursyer ndaj tyre këshillën, në xhami, rrugë apo kudo ku mund të arrijë zëri ynë.

Një tjetër çështje e rëndësishme e cila ia vlen të përmendet është edhe hendeku i krijuar midis rinisë dhe prijësave fetar, hendek ky i cili ka bërë që rinia të jetë në një dilemë dhe qorrsokak, larg prej udhëzimit të drejtë. E fajtor për këtë është neglizhenca e të moshuarve ndaj të rinjve dhe përçmimi që tregohet ndaj mendimit dhe vullnetit të tyre. Është detyrë për ne që të jemi pranë tyre dhe problemeve që kanë. Të përpiqemi në gjetjen dhe eleminimin e atyre shkaqeve të cilat përbëjnë hendekun midis rinisë dhe fesë. E s’ka dyshim se nëse përcaktojmë sëmundjen, edhe kurimi bëhet më i lehtë.

Disa prej nesh kur dëgjojnë diçka të gabuar prej të rinjve tanë, reagojnë ashpër, i qortojnë rëndë ata dhe e përgjithësojnë gabimin e tyre te e gjithë rinia, si dhe i shohin ata me përçmim. Kjo bëhet shkak që edhe të rinjtë të reagojnë negativisht ndaj prijësve të fesë dhe dijetarëve, të mos e dëgjojnë fjalën e tyre, duke i dhënë mundësi shejtanit që t’i shmangë ata prej rrugës së drejtë. Pra vëllezër, duhet që ne t’i kushtojmë kësaj çështjeje delikate një rëndësi parësore.

Një këshillë të veçantë ua drejtoj mësuesve, duke kërkuar prej tyre që të përpiqen për edukimin e nxënësve me edukatën fetare dhe kulturën e pastër islame. T’i nxisin ata për tek shpallja me të cilën erdhi i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për tek Libri i Allahut të Madhëruar dhe suneti i të Dërguarit të Tij(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

T’u tregojnë nxënësve vërtetësinë e kësaj feje madhështore, si dhe t’ua bëjnë të qarta dispozitat e fesë, duke u zbuluar atyre vlerat dhe urtësitë e sheriatit. Kjo pasi unë kam vënë re se mësimdhënia në shkolla ka njëfarë mangësie, e sidomos në universitete ku disa prej pedagogëve e paraqesin lëndën disi të thatë e jo vitale, duke mos i shpjeguar nxënësit argumentin në lidhje me çështjen për të cilën bëhet fjalë dhe as urtësinë e saj.

Është e vërtetë që besimtari duhet ta zbatojë urdhërin e Allahut dhe urdhërin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pavarësisht nëse arrin ta kuptojë urtësinë e tij apo jo. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfarë.” [El Ahzabë 36].

Mirëpo, nëse ai do ta dinte urtësinë dhe shkakun për të cilin Allahu ka urdhëruar për të, atëherë do të gjente qetësi në zemër dhe atij do t’i shtohej dashuria dhe dëshira për zbatimin me korrektësi të dispozitave të fesë dhe ligjeve të sheriatit. Prandaj kërkoj prej vëllezërve të mi pedagog që leksionet t’i mbajnë vitale, të gjalla dhe mbresëlënëse. Të jenë mësime që pastrojnë shpirtrat, ngazëllejnë zemrat dhe i kthjellojnë mendjet.

E tani i kthehem temës që kam përgatitur.

Tema e leksionit tim është: Akti i martesës, pasojat dhe konsekuencat e tij dhe të tjera çështje në lidhje me të“.

E zgjodha këtë temë për shkak të rëndësisë së madhe së saj dhe për shkak se shumë prej njerëzve janë injorantë ndaj shumë prej dispozitave dhe rregullave që kanë të bëjnë me martesën. Po ashtu, me këtë temë delikate kanë të bëjnë shumë prej problemeve shoqërore, për të cilat, çdo njeri i urtë dhe i sinqertë në dashurinë që ka ndaj umetit të tij, kërkon të gjejë zgjidhje për to.

Çdo problemi, nëse do t’i kushtohet rëndësia që meriton dhe do të studiohet me kujdes dhe pa e neglizhuar, me siguri që do të gjendet zgjidhje për të. Ndërsa në të kundërt, nëse problemi anashkalohet dhe neglizhohet, atëherë do të mbetet gjithnjë i tillë, madje mund të bëhet akoma më i zymtë e më i komplikuar.

Këtë temë e kam shtjelluar në dhjetë pika:

1. Kuptimi i martesës nga ana gjuhësore dhe fetare

2. Gjykimi në lidhje me martesën

3. Kushtet e martesës

4. Cilësitë e pëlqyeshme të gruas e cila kërkohet për martesë

5. Femrat me të culat martesa është e ndaluar

6. Numri i lejueshëm i grave për martesë

7. Urtësia e martesës

8. Detyrimet e lindura nga  martesa, ku prej tyre përmendim: Mehri, përkrahja financiare, traditat që kanë të bëjnë me dy bashkëshortët ndërmjet veti dhe me familjarët e tyre, ndalesat martesore dhe trashëgimia

9. Vendimi i sheriatit në lidhje me divorcin dhe gjërat që duhen patur parasysh në lidhje me të

10. Konsekuencat e divorcit

1

Kuptimi i martesës nga ana gjuhësore dhe fetare

Vijon …

 


[1]E transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij, kapitulli i besimit, tema ” Qartësim se nuk do të  futet në xhenet, veçse ai që është besimtar“,  me nr 55.