DIVORCI DHE KUJDESTARIA E FEMIJES

 


Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


DIVORCI

 

Përkufizim

Fjala “talak” (divorc) në gjuhën arabe rrjedh nga fjala “itlak” që ka kuptimin “liroj dikë”. Ndërsa në apektin teminologjik të legjislacionit islam, divorci është zgjidhja e lidhjeve martesore dhe përfundimi i martesës.

 

Mospëlqimi i tij

Stabiliteti i jetës bashkëshortore është një prej qëllimeve të cilave Islami u kushton një rëndësi të veçantë. Akti i martesës plotësohet me qëllim që të jetë i vazhdueshëm dhe i përhershëm deri në përfundim të jetës. Qëllimi i martesës është që t’ua mundësojë bashkëshortëve që të gjejnë prehje dhe lumturi në shtëpinë e tyre me qëllim që të jenë të aftë të rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre në mënyrë adekuate.

Për këtë arsye lidhjet bashkëshortore konsiderohen ndër lidhjet njerzore më të shënjta dhe më të rëndësishme. Shënjtërimi i lidhjeve bashkëshortore në Islam vërtetohet nga fjala e Allahut të Madhëruar, i cili e ka quajtur marrëveshjen në mes burrit dhe gruas “marrëveshje të fortë”. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَأَخَذْنَ مِنْكُمْ مِيثَاقًا غَلِيظًا

“Ato (gratë) kanë marrë prej jush një marrëveshje të fortë”[1]

Përderisa lidhjet bashkëshortore janë të forta dhe të legjitimuara, atëherë nuk duhet që ato të shkelen apo të prishen me lehtësi dhe pa ndonjë shkak të fortë.

Çdo çështje që rezulton në dobësimin e këtyre lidhjeve është e papëlqyer nga feja islame sepse kjo gjë bie në kundërshtim me interesin e bashkëshortëve.

Ibn Omeri (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu është divorci.”[2] Transmetuar nga Ebu Daudi dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Çdo person që përpiqet të prishë lidhjen martesore të një çifti konsiderohet në këndvështrimin islam i dalë nga feja dhe privohet nga nderi i të qënit anëtar i bashkësisë islame.

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nuk konsiderohet prej nesh ai që e bën një grua të prishë lidhjen me burrin e saj.”[3] Transmetuar nga Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Ka raste që disa gra përpiqën të influencojnë tek burrat për të prishur lidhjet e tyre martesore me qëllim që të zënë vendin e grave të tyre. Feja islame e ka ndaluar këtë veprim rreptësisht. Ebu Hurejra (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nuk lejohet që një grua të kërkojë divorcin e motrës së saj muslimane me qëllim që të martohet me burrin e saj. Ajo duhet të presë fatin e saj.”[4]

Nga ana tjetër gruaja që kërkon divorcin nga burri i saj pa ndonjë arsye të fortë nuk do të shijojë aromën e xhenetit.

Theubani transmeton se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ajo grua që kërkon divorcin nga burri i saj pa ndonjë arsye të fortë nuk do të shijojë aromën e xhenetit.”[5] Transmetuar nga Autorët e Sunenit. Tirmidhiu e konsideron hadithin të mirë.

 

Statusi i divorcit në legjislacionin islam

 

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me statusin e divorcit në legjislacionin islam. Mendimi më i saktë është mendimi i Hanefijve dhe Hanbelijve të cilët gjykojnë se divorci është i ndaluar përveç me përjashtim të rastit kur është i nevojshëm . Ata e kanë argumentuar mendimin e tyre me fjalën e Profetit (s.a.u.s.): “Allahu e ka mallkuar çdo shijues (të gjërave të ndaluara) dhe çdo njeri që e divorcon gruan (pa qënë e domosdoshme).[6]

Divorci është mohim i mirësive dhe begative të Allahut (xh.sh.) për njeriun. Martesa është njëra prej këtyre begative dhe mohimi i saj është vepër e ndaluar përveç kur bëhët në raste të domosdoshme.

Prej rasteve të domosdoshme në të cilat lejohet divorci mund të përmendim p.sh. kur burri dyshon në sjelljet dhe moralin e gruas, kur i është rrënjosur në zemër ndjenja e mosegzistencës së dëshirave seksuale për gruan e tij, etj. Nëse nuk ka ndonjë arsye të domosdoshme për divorc, atëherë ai konsiderohet mohim i mirësive të Allahut (xh.sh.) dhe sjellje e shëmtuar e burrit. Në këtë rast divorci është një vepër e urryer dhe e ndaluar.

Dijetarët e shkollës juridike hanbelije e kanë analizuar me hollësi dhe bukur. Në mënyrë të përmbledhur ata kanë thënë:

“Divorci mund të jetë disa llojesh: divorc i obliguar, divorc i ndaluar, divorc i lejuar dhe divorc i pëlqyer.

Divorci i obliguar është në rastin kur divorci që ndodh për shkak të mosmarrëveshjes të bashkëshortëve kur dy gjykuesit që marrin përsipër gjykimin e shohin se divorci është rruga e vetme për zgjidhje. Një rast i tillë është obligimi i divorcit pas kalimit të periudhës katërmujore për personin që është betuar se nuk do të kontaktojë me gruan e tij. Allahu i Madhëruar thotë:

 

لِلَّذِينَ يُؤْلُونَ مِنْ نِسَائِهِمْ تَرَبُّصُ أَرْبَعَةِ أَشْهُرٍ فَإِنْ فَاءُوا فَإِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ وَإِنْ عَزَمُوا الطَّلاقَ فَإِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Ata që betohen se nuk do të kryejnë marrëdhënie me gratë e tyre duhet të presin katër muaj. Në qoftë se heqin dorë nga betimi, nuk ka dyshim se Allahu është falës dhe mëshirues. Në qoftë se kanë vendosur për t’u divorcuar, nuk ka dyshim se Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.”[7]

 

Divorc i ndaluar është ai që bëhet pa pasur nevojë për të. Ai është i ndaluar sepse dëmton njëkohësisht burrin dhe gruan si edhe interesat e tyre të përbashkëta pa pasur asnjë nevojë. Ndalimi i tij është i të njëjtës gradë me ndalimim e shpenzimit të pasurisë pa patur nevojë. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”.[8]

Sipas një transmetimi tjetër, ky lloj divorci është i papëlqyer duke u bazuar në fjalën e Profetit (s.a.u.s.): “Gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu është divorci.”[9] Transmetuar nga Ebu Daudi    Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu nuk ka lejuar diçka më të urryer për Të se divorci.”[10] Divorci është i urryer kur bëhet pa pasur ndonjë arsye të domosdoshme. Profeti (s.a.u.s.) e ka quajtur divorcin në këtë rast të lejuar por është i papëlqyer sepse ai bëhet shkak për prishjen e interesave të pëlqyera martesore.

Divorci i lejuar është ai që bëhet kur ka ndonjë nevojë për të. Një rast i tillë është kur gruaja nuk ka sjellje të mirë, kur e trajton burrin keq dhe e dëmton atë.

Divorc i pëlqyer është atëherë kur gruaja nuk i plotëson detyrimet e obliguara ndaj Allahu (xh.sh.) duke mos pasur mundësi për ta detyruar atë që t’i kryejë ato, si edhe atëherë kur gruaja është e pandershme.”

Imam Ahmedi (r.a.) mendon se në këtë rast burri nuk duhet që ta mbajë gruan e tij sepse ajo mund ta dëmtojë besimin e tij dhe mund t’i sjellë ndonjë fëmijë që nuk është i tij si pasojë e imoralitetit të saj. Ai mendon se nuk është mëkat vënia e gruas në vështirësi në këtë rast për ta bërë atë të kërkojë divorcin edhe me kompensim. Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَلا تَعْضُلُوهُنَّ لِتَذْهَبُوا بِبَعْضِ مَا آتَيْتُمُوهُنَّ إِلا أَنْ يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ مُبَيِّنَةٍ

“(O ju që keni besuar) Mos i shtrëngoni gratë për t’u marrë atyre diçka nga ajo që iu keni dhënë përveç nëse bëjnë ndonjë imoralitet të hapur.”[11]

Ibn Kudame ka thënë: “Ka mundësi që divorci në këto dy raste të jetë i obliguar.”

Ibn Sina ka thënë në librin e tij “El Shifa”: “Është e domosdoshme që divorci të jetë i mundur dhe të mos mbyllen të gjitha dyert që të çojnë drejt tij. Sikur ta mbyllnim derën e divorcit plotësishtë do të kishim pasoja të dëmshme. Kështu për shëmbull, disa karaktere njerëzish nuk përputhen me disa karaktere njerëzish të tjerë. Sa më shumë të përpiqen të afrohen me njëri-tjetrin, aq më shumë do të rriten mosmarrëveshjet në mes tyre dhe jeta bashkëshortore do të bëhet e pamundur. Përveç kësaj, dikush mund të jetë martuar me një bashkëshort të papërshtatshëm për të që nuk e trajton siç duhet ose me një person të urryer. Kjo gjë mund të shkaktojë lindjen e dëshirave seksuale ndaj personave të tjerë dhe shfaqjen e formave të ndryshme të degradimit të shoqërisë pasi instikti seksual është i natyrshëm tek njeriu. Gjithashtu mund të ndodhë që njëri nga bashkëshortët nuk e dëshiron lindjen e fëmijëve dhe për pasojë bashkëshorti tjetër ka të drejtë të martohet me dikë tjetër që të lindë fëmijë. Pra, është e domosdoshme që të ekzitojë mundësia e divorcit. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që këto rastet e divorcit të mos trajtohen me rreptësi.”

 

 

Divorci tek Hebrenjtë[12]

 

Sipas legjislacionit hebraik dhe praktikës së ndjekur nga ata, divorci është i lejuar edhe kur nuk ka shkaqe të domosdoshme për këtë si p.sh. kur burri dëshiron të martohet me një grua më të bukur se gruaja e tij. Gjithsesi, divorci nuk është i pëlqyer kur bëhet pa pasur ndonjë arsye të pranueshme. Sipas jurisprudencës hebraike, arsyet e divorcit ndahen në dy grupe:

Të meta fizike. Në këtë grup futen: defektet e syve, era e keqe e gojës, deformimi i trupit, çalimi gjatë ecjes dhe të qënit steril.

Të metat e karakterit. Në këtë grup futen: sjellja e pahijshme, të folurit shumë, papastërtia, të qënit i vrazhdë, kokëfortësia, shpërdorimi i pasurisë, lakmia, pangopësia, të veshurit në mënyrë ekstravagante, mburrja dhe imoraliteti. Imoraliteti konsiderohet e meta më e madhe dhe arsyeja më e fortë për divorc. Thashethemet e pavërtetuara rreth tij(imoralitetit) janë të mjaftueshme për marrjen e vëndimit të divorcit. Nga arsyet e divorcit që u përmenden më sipër, Isai (s.a.u.s.) ka miratuar vetëm imoralitetin. Sipas Hebraizmit, gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë divorcin për asnjë të metë të burrit, qoftë edhe imoralitet i vërtetuar.

 

 

Divorci tek sektet kristiane

 

Kristianizmi ka tre sekte kryesore:

Sekti Katolik

Sekti Ortodoks

Sekti Protestant

Sipas sektit katolik, divorci është i ndaluar kategorikisht dhe nuk lejohet prishja e lidhjes martesore për asnjë arsye, sado e madhe qoftë. As tradhëtia bashkëshortore nuk konsiderohet justifikim për lejimin e divorcit. Në rastin e tradhëtisë bashkëshortore lejohet vetëm ndarja fizike e bashkëshortëve, ndërsa martesa konsiderohet egzistuese në aspektin juridik. Gjatë ndarjes fizike të bashkëshortëve nuk lejohet që ndonjëri prej tyre të martohet me dikë tjetër sepse kjo do të përbënte poligami dhe sipas Kristianizmit, poligamia është e ndaluar.

Katolikët e bazojnë gjykimin e tyre në Ungjillin e Markut ku Jezusi thotë: “Të dy ata janë një trup i vetëm dhe që sot e tutje nuk do të jenë dy persona por një trup i vetëm.”[13]

Dy sektet e tjera kristiane (ortodoksët dhe protestantët) e lejojnë divorcin në disa raste të kufizuara ndër të cilat më e rëndësishmja është tradhëtia bashkëshortore. Por ata e ndalojnë që burri dhe gruaja të martohen pas divorcit me dikë tjetër. Këto dy sekte e bazojnë lejimin e divorcit në Ungjillin e Mateut ku Jezusi thotë: “Kush e divorcon gruan e tij për ndonjë arsye tjetër përveç tradhëtisë bashkëshortore, e shtyn atë për të bërë imoralitet.”[14]

Sektet kristiane e ndalojnë martesën e burrit dhe gruas së divorcuar duke u bazuar në Ungjillin e Markut ku thuhet: “Kush e divorcon gruan e tij dhe martohet me një grua tjetër, ai bën imoralitet. Kush e divorcon burrin e saj dhe martohet me një burrë tjetër, ajo bën imoralitet.”[15]

 

 

Divorci në periudhën e injorancës paraislame

 

Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a.), ka thënë: “Në kohën e injorancës paraislame burri e divorconte gruan sa herë të dëshironte dhe pastaj e kthente atë në periudhën e pritjes edhe nëse më parë e kishte divorcuar njëqind herë.”

Një herë një burrë i tha gruas së tij: “Betohem në Zotin se nuk do të divorcoj përfundimisht dhe nuk do të mbaj gjatë gjithë kohës.” Gruaja e pyeti: “Si do ta bësh këtë?” Burri iu përgjigj: “Do të divorcoj dhe sapo të afrohet përfundimi i periudhës së pritjes do të kthej përseri.” Gruaja shkoi tek Aishja (r.a.) dhe i tregoi asaj çfarë kishte ngjarë. Aishja (r.a.) heshti derisa erdhi Profeti (s.a.u.s.) dhe i tregoi atij çfarë i kishte ndodhur gruas. Profeti (s.a.u.s.) heshti derisa zbriti ajeti kuranor:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet vetëm dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[16]

Aishja (r.a.) ka thënë: “Njerëzit vepruan sipas këtij ajeti në të ardhmen pavarësisht nëse i kishin divorcuar gratë e tyre më përpara apo jo.”[17] Transmetuar nga Tirmidhiu.

 

 

 

Divorci është e drejtë vetëm e burrit*

 

Feja islame ka përcaktuar që divorci është e drejtë vetëm e burrit sepse ai është më i kujdesshëm për mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e jetës bashkëshortore. Burri përballon shpenzimet financiare të martesës dhe është i vetëdijshëm se sikur ta divorcojë gruan e tij do të detyrohet të përballojë të njëjtat shpenzime ose më shumë për t’u martuar me një grua tjetër. Nga ana tjetër burri është i detyruar që t’i japë gruas së divorcuar pjesën e papaguar të mehrit dhe një sasi të hollash për kompensimin e divorcit. Përveç kësaj, ai është i obliguar që të mbulojë shpenzimet financiare të gruas gjatë periudhës së pritjes.

Duke marrë në konsideratë këto aspekte, burri do të jetë më i duruar ndaj cilësive negative të gruas dhe nuk do të ngutet për të marrë vendimin e divorcit sa herë që ta zemërojë gruaja apo sa herë që të shikojë tek ajo diçka që ai nuk e pëlqen.

Gruaja zemërohet më shpejt se burri dhe është më pak e duruar. Nga ana tjetër, ajo nuk është e obliguar nga ana financiare për të përballuar shpenzimet e divorcit. Për këto arsye ajo është më e gatshme për të marrë iniciativën e divorcit dhe për të prishur lidhjen martesore qoftë edhe për shkaqe të rëndomta apo për shkaqe që nuk mund të konsiderohen të pranuara. Ky arsyetim argumentohet më së miri edhe nga fakti se pas ligjërimit të së drejtës së divorcit në vendet perëndimore si për burrat ashtu edhe për gratë, numri i divorceve në këto vende është rritur disa herë në krahasim me vendet islame.

 

Cilësitë e burrit që ka të drejtën e divorcit

 

Juristët islamë kanë rënë dakord se të drejtën e divorcit e ka vetëm burri që është i shëndoshë nga ana mendore, në moshë madhore dhe i lirë të zgjedhë. Nëse burri ka aftësi të kufizuara mendore, nuk e ka arritur moshën e pjekurisë apo është i detyruar me forcë të marrë vendimin e divorcit, atëherë divorci i tij nuk merret në konsideratë dhe nuk ka efekt ligjor. Veprimit e një personi me cilësitë e sipërpërmendura nuk kanë asnjë efekt mbi jetën bashkëshortore. Burri duhet të ketë aftësi të plotë juridike për të vepruar në mënyrë që vendimet e tij të konsiderohen të vlefshme. Aftësi të plotë juridike për të vepruar ka vetëm ai person që është i shëndoshë nga ana mendore, në moshë madhore dhe i lirë të zgjedhë.

Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Tre personave nuk u shënohen mëkatet e tyre: atij që është në gjumë derisa të zgjohet, fëmijës derisa të arrijë moshën madhore dhe të çmendurit derisa të shërohet e të llogjikojë.”[18] Transmetuar nga autorët e Suneneve.

Ebu Hurejra (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Të gjitha llojet e divorcit janë të vlefshme përveç divorcit të personit të sëmurë nga ana mendore.”[19] Transmetuar nga Tirmidhiu dhe Bukhariu i cili e konsideron hadithin “meukuf”

Bukhariu transmeton se Ibn Abbasi ka thënë: “Divorci i një personi të detyruar nga hajdutët për të ndarë gruan e tij nuk merret në konsideratë.”[20]

Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me çështjet e mëposhtme të cilat do t’i trajtojmë në vijim:

Divorci i personit të detyruar.

Divorci i personit të dehur.

Divorci i personit që bën shaka (që tallet).

Divorci i personit të zemëruar.

Divorci i personit të pavëmendshëm (të shkujdesur).

Divorci i personit të çuditur ( të habitur).

 

1- Divorci i personit të detyruar

 

Personi i detyruar nuk posedon liri veprimi dhe zgjedhjeje dhe për pasojë nuk mund të konsiderohet i ngarkuar (përgjegjës). Nëse liria e veprimit dhe e zgjedhjes nuk është e siguruar, atëherë personi në fjalë nuk mund të konsiderohet përgjegjës për veprimet e tij sepse ai nuk shpreh vullnetin e tij por vullnetin e personit që e ka detyruar atë për të marrë një vendim të caktuar.

Nëse dikush detyrohet të mohojë besimin e tij, ai nuk konsiderohet jobesimtar duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

إِلا مَنْ أُكْرِهَ وَقَلْبُهُ مُطْمَئِنٌّ بِالإِيمَانِ

“Me përjashtim të atij që detyrohet ndërsa zemra e tij është e bindur plotësisht me besim”[21]

Në mënyrë të ngjashme ai që detyrohet për të pranuar Islamin nuk konsiderohet musliman dhe ai që detyrohet për të divorcuar gruan e tij nuk mund të merret për bazë divorci i tij. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Popullit tim nuk i merren për bazë mëkatet që bëjnë gabimisht, nga harresa ose kur janë të detyruar.”[22] Transmetuar nga Ibn Maxheh, Ibn Habbani, Darkutniu, Taberaniu, Hakimi dhe Neveviu, i cili e konsideron hadithin të mirë.

Të këtij mendimi janë Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Daudi. Këtë mendim kanë përkrahur edhe shokët e Profetit (s.a.u.s.): Omer Bin Khatabi, Abdullah Bin Omeri, Ali Bin Ebu Talibi dhe Ibn Abbasi.

Ndërsa Ebu Hanifja dhe shokët e tij mendojnë se divorci i personit të detyruar merret në konsideratë. Ata nuk kanë ndonjë argument për të mbështetur mendimin e tyre i cili bie në kundërshtim me mendimin e shumicës së dijetarëve islamë.

 

 

2- Divorci i personit të dehur

 

Shumica e juristëve islamë mendojnë se divorci i personit të dehur merret në konsideratë sepse ai ka shkaktuar prishjen e mendjës me vullnetin e tij. Por disa dijetarë mendojnë se divorci i personit të dehur nuk merret në konsideratë pasi ai konsiderohet i barabartë me personin e çmendur. Ai nuk ka aftësi mendore për të gjykuar dhe për pasojë nuk mund të konsiderohet përgjegjës për veprimet e tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَقْرَبُوا الصَّلاةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى حَتَّى تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ

 “O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur derisa të dini çfarë thoni.”[23]

Allahu (xh.sh.) përcakton se fjalët e të dehurit nuk merren për bazë pasi ai nuk di çfarë thotë. Është vërtetuar se Osmani (r.a.) nuk e ka konsideruar të vlefshëm divorcin e personit të dehur.[24]

Disa dijetarë shtojnë se asnjëri nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) nuk e ka kundërshtuar Osmanin në lidhje me këtë gjykim. Të këtij mendimi janë: Jahja Bin Said Ensariu, Hamid Bin Abdurrahmani, Rebia, Lejth Bin Sa’di, Abdullah Bin Husejni, Is’hak Bin Rahivia, Ebu Theuri, Shafiu sipas një mendimi, Muzniu, Ahmedi sipas një transmetimi dhe Dhahirijtë. Këtë mendim kanë edhe dy juristë të shkollës hanefije: Ebu Xha’fer Tahaviu dhe Ebu Hasan Kurhiu. Sheukaniu ka thënë: “Divorci i të dehurit nuk merret për bazë pasi ai nuk është përgjegjës për veprimet e tij. Allahu (xh.sh.) e ka përcaktuar denimin e personit që përdor alkoolin dhe nuk duhet që ne duke u bazuar në mendimin tonë individual të shtojmë një denim tjetër për të duke e marrë divorcin e tij në konsideratë. Në këtë mënyrë ne do ta ndëshkonim përdoruesin e alkoolit me dy denime.”

Gjykatat sot veprojnë në bazë të këtij mendimi. Artikulli i parë i ligjit nr. 25 të miratuar në vitin 1929 thotë: “Divorci i të dehurit dhe i personit të detyruar nuk merret në konsideratë.”

 

 

 

3- Divorci i personit të zemëruar

 

Personi i zemëruar nuk e di çfarë thotë dhe nuk i kontrollon veprimet e tij. Për pasojë divorci i tij nuk merret në konsideratë. Aishja (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Divorci i gruas dhe lirimi i një robi nuk merren në konsideratë kur bëhën nga një person i zemëruar, i detyruar apo i çmëndur.”[25] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxheh dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Zemërimi ndahet në tre lloje:

Zemërimi që shkakton mosfunksionimin e logjikës dhe për pasojë personi i zemëruar nuk di çfarë thotë. Të gjithë dijetarët janë dakord se divorci në këtë rast nuk merret në konsideratë.

Zemërimi që nuk e pengon personin të imagjinojë çfarë thotë dhe çfarë ka për qëllim. Në këtë rast divorci merret në konsideratë.

Zemërimi që është serioz por që nuk shkakton mosfunksionimin e logjikës plotësisht. Në këtë rast personi nuk është i sigurtë se çfarë ka për qëllim dhe më pas pendohet për çfarë ka thënë. Mendimi më i qëndrueshëm është se divorci nuk merret në konsideratë në këtë rast.

 

 

4-Divorci i personit që bën shaka (që tallet) dhe i atij që i shkan goja gabimisht

 

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se divorci i personit që bën shaka merret në konsideratë ashtu si edhe martesa e tij. Ebu Hurejra (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Në tre raste të folurit seriozisht dhe të bërit shaka janë të barabartë dhe merren seriozisht: në martesë, në divorc dhe në kthimin e gruas së divorcuar.”[26] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të mirë, dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Edhe pse në vargun e transmetimit të këtij hadithi ndodhet Abdullah Bin Habibi, rreth të cilit ka mendime të ndryshme nga dijetarët, hadithi konsiderohet i qëndrueshem sepse ai përforcohet edhe nga hadithe të tjera.

Por disa dijetarë mendojnë se divorci i personit që bën shaka nuk merret në konsideratë. Nga ky grup dijetarësh mund të përmendim Bakirin, Sadikun dhe Nasirin. Ky është edhe një mendim i shkollës juridike të Ahmedit dhe Malikut. Këta dijetarë argumentojnë se kushtëzohet qëllimi i shprehjes së divorcit dhe njohja e kuptimit të saj për vlefshmërinë e divorcit. Nëse personi nuk ka për qëllim divorcin por është duke u tallur, atëherë divorci i tij nuk merret për bazë duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَإِنْ عَزَمُوا الطَّلاقَ فَإِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Në qoftë se kanë vendosur për t’u divorcuar, nuk ka dyshim se Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.”[27]

Vendosmëria për kryerjen e një veprimi nënkupton marrjen e një vendimi të prerë me qëllim kryerjen e tij. Profeti (s.a.u.s.) thotë në një hadith: “Me të vërtetë veprat gjykohen sipas qëllimeve.”[28]

Divorci i personit që tallet nuk bëhet me qëllim dhe për pasojë nuk merret në konsideratë. Bukhariu transmeton se Ibn Abbasi ka thënë: “Divorci konsiderohet i vlefshëm kur bëhet me qëllim.[29][30]

Përsa i përket divorcit të personit të cilit i shkan goja gabimisht dhe përmend divorcin duke pasur për qëllim të shqiptojë diçka tjetër, juristët hanefijë mendojnë se në aspektin fetar divorci i tij nuk merret në konsideratë dhe gruaja është e lejuar për të. Ndërsa në aspektin gjyqësor divorci i tij është i rregullt.

 

 

5- Divorci i personit të pavëmendshëm (të shkujdesur)

 

Personi i pavëmendshëm konsiderohet njëlloj si personi që bën shaka apo që i shkan goja gabimisht. Ndryshimi në mes të personit që bën shaka dhe atij që i shkan goja gabimisht është se divorci i personit që bën shaka konsiderohet i vlefshëm nga ana gjyqësore dhe fetare (sipas mendimit të shumicës së dijetarëve), ndërsa divorci i atij që bën shaka konsiderohet i vlefshëm vetëm në aspektin gjyqësor. Arsyeja e këtij gjykimi është se divorci nuk mund të jetë një çështje për t’u tallur dhe për të bërë shaka.

 

 

6- Divorci i personit të çuditur ( të habitur)

 

Person i çudituar apo i habitur konsiderohet ai që nuk di se çfarë thotë për shkak të një surprize apo traume që ka kaluar. Personi në këtë gjëndje nuk është i aftë të arsyetojë dhe të mendojë. Si rrjedhim, divorci i tij nuk merret në konsideratë. I njëjti gjykim vlen edhe për divorcin e të çmendurit, budallait, atij që i ka rënë të fikët dhe atij që nuk ka zotësi të plotë mendore si pasojë e moshës, sëmundjes apo ndonjë fatkeqësie.

 

Gruaja që mund të divorcohet

 

Divorci konsiderohet i vlefshëm vetëm atëherë kur gruaja është objekt divorci. Gruaja mund të jetë objekt divorci vetëm në rastet e mëposhtme:

Kur martesa është egzistuese në mënyrë të rregullt në mes të bashkëshortëve deri në momentin e divorcit.

Kur gruaja është në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit me të drejtë kthimi apo si pasojë e divorcit përfundimtar të shkallës së vogël (kur gruaja është divorcuar më pak se tre herë). Në këto dy raste martesa konsiderohet egzistuese deri në përfundim të periudhës së pritjes.

Kur gruaja është në periudhën e pritjes si pasojë e ndarjes që ka të njëjtin efekt si divorci. Në këtë kategori futet ndarja si pasojë e pranimit të Islamit nga gruaja kur burri nuk është musliman dhe ndarja si pasojë e betimit të burrit për të mos kryer marrëdhënie me gruan e tij. Sipas mendimit të Hanefijve, ndarja në këto dy raste ka të njëjtin efekt si divorci.

Kur gruaja është në periudhën e pritjes si pasojë e ndarjes që konsiderohet pezullim i aktit të martesës dhe jo prishje përfundimtare e tij si p.sh. ndarja me të drejtë kthimin e gruas. Në këtë rast pezullimi i martesës është bërë për një shkak emergjent që e pengon vazhdimësinë e aktit të martesës pasi ky shkak të jetë i vlefshëm.

 

 

 

 

 

Gruaja që nuk mund të divorcohet

 

Siç e sqaruam më sipër, divorci konsiderohet i vlefshëm vetëm atëherë kur gruaja është objekt divorci. Nëse gruaja nuk është objekt divorci, atëherë ajo nuk mund të divorcohet. Në këtë mënyrë, nuk lejohet divorcimi i gruas në periudhën e pritjes si pasojë e prishjes së aktit të martesës për shkak të papërshtatshmërisë së burrit, vlerës së mehrit më të vogël se mesatarja, zgjedhjes së gruas për mosvazhdimësinë e jetës bashkëshortore pasi ka arritur moshën madhore dhe vërtetimit të pavlefshmërisë së kushteve të aktit të martesës. Akti i martesës në këto raste nuk është i vlefshëm dhe burri nuk ka asnjë të drejtë mbi gruan në periudhën e pritjes. Nëse burri i thotë gruas në këto raste “Je e divorcuar”, fjala e tij nuk ka asnjë efekt ligjor.

Gjithashtu nuk është i vlefshëm divorci i gruas së ndarë para kryerjes së marrëdhënieve intime apo para të ndenjurit të bashëshortëve vetëm në mënyrë intime sepse lidhja e tyre martesore ka përfunduar më përpara. Gruaja konsiderohet e huaj për burrin pas ndarjes së parë dhe nuk mund të divorcohet rishtazi pasi ajo nuk është gruaja e tij dhe as në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit të tij.

Nëse burri i thotë gruas së tij me të cilën nuk ka kryer akoma marrëdhënie intime “Je e divorcuar; Je e divorcuar; Je e divorcuar”, atëherë vetëm divorci i parë merret në konsideratë pasi ajo deri në atë moment ishte gruaja e tij. Divorci i dytë dhe i tretë nuk merren në konsideratë pasi janë shprehur në kohën që ajo nuk ka qënë gruaja e tij dhe as në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit të tij. Dihet se gruaja e divorcuar para kryerjes së marrëdhënieve intime nuk ka periudhë pritjeje.

Nuk konsiderohet i vlefshëm as divorci i një gruaje të huaj me të cilën burri nuk ka pasur lidhje martesore. Nëse burri i thotë një gruaje me të cilën nuk ka qënë i martuar “Je e divorcuar”, fjala e tij konsiderohet shaka dhe nuk ka asnjë efekt ligjor. I njëjti gjykim vlen edhe për rastin kur burri shpreh divorcin për gruan të cilën ai e ka ndarë më përpara dhe periudha e saj e pritjes ka përfunduar. Me përfundimin e periudhës së pritjes gruaja e divorcuar konsiderohet e huaj për burrin.

Gjithashtu nuk është i vlefshëm as divorci në periudhën e pritjes së një gruaje të cilën burri e ka divorcuar tre herë më përpara. Pas divorcit të tretë gruaja konsiderohet e ndaluar përfundimisht për burrin dhe divorci i tij (për herë të katërt) nuk ka asnjë kuptim.

 

 

Divorci para martesës

 

Nuk është i vlefshëm divorci i një gruaje me të cilën burri nuk është martuar ende si p.sh. kur dikush thotë: “Nëse do të martohem me atë grua, unë do e divorcoj atë.” Amr Bin Shuajbi tregon nga babai dhe ai nga babai i tij dhe gjyshi i tij se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Njeriu nuk duhet të zotohet për gjëra që nuk i posedon, të lirojë robër që nuk janë pronë e tij dhe as të divorcojë dikë që nuk është gruaja e tij.”[31] Transmetuar nga Tirmidhiu, i cili e konsideron hadithin të mirë.

Të këtij mendimi janë shumica e shokëve të Profetit (s.a.u.s.) dhe shumë dijetarë të tjerë ndër të cilët mund të përmendim: Ali Bin Ebu Talibin, Ibn Abbasin, Xhabir Bin Jezidin, Shafiun, etj.

Ndërsa Ebu Hanifja mendon se ky lloj divorci është i vlefshëm nëse plotësohet kushti pa marrë parasysh nëse burri e ka specifikuar gruan apo ka folur në përgjithësi.

Maliku dhe ndjekësit e shkollës së tij juridike thonë: “Nëse burri ka folur në përgjithësi, divorci nuk është i vlefshëm. Nëse e ka përcaktuar gruan, atëherë divorci bëhet i obliguar për të në rast se plotësohet kushti.” Të folurit në përgjithësi nënkupton se burri thotë: “Nëse martohem me një grua do ta divorcoj atë.” Përcaktimi i gruas nënkupton rastin kur burri thotë: “Nëse martohem me këtë grua (duke e përcaktuar me emër) do ta divorcoj atë.”

 

 

Mënyra e shprehjes së divorcit

 

Divorci mund të shprehet me të gjitha mënyrat që tregojnë përfundimin e lidhjes martesore. Kjo mund të realizohet me fjalë, me shkrim, me shenja (në rastin e memecit) dhe me anë të dërgimit të një personi për të lajmëruar gruan për vendimin e divorcit.

 

 

Divorci me fjalë

 

Fjalët e divorcit mund të jenë të drejtpërdrejta ose të nënkuptuara. Fjalët e drejtpërdrejta janë ato të cilat kuptohen sapo të shqiptohen si p.sh. kur burri i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar.” Fjalët e drejtpërdrejta janë të gjitha derivatet e fjalës “divorc”.

Shafiu mendon se fjalët e drejtpërdrejta të divorcit janë tre: “divorc”, “ndarje” dhe “lirim” të cilat janë të përmendura në Kuran për këtë qëllim. Disa nga dhahirijtë mendojnë se divorci është i vlefshëm vetëm me këto tre fjalë. Ata argumentojë se duhet t’u përmbahemi vetëm fjalëve të përcaktuara në legjislacionin islam.Sepse ky është adhurim që nuk kryhet veçse  duke vepruar siç  ka ardhur.

Fjalët e nënkuptuara janë ato që e përmbajnë kuptimin e divorcit si p.sh. kur burri i thotë gruas së tij: “Je e larguar nga unë” [32] ose “Ti e ke veten në dorë”. [33]

Largimi nga burri dhe zotërimi i vetes nga gruaja që të jetë e lirë të veprojë si të dëshirojë nënkuptojnë divorcin e saj. Në të njëjten mënyrë burri mund ta divorcojë gruan e tij duke thënë: “Ti je e ndaluar për mua.” Kjo nënkupton ndalimin e kënaqësive bashkëshortore në mes burrit dhe gruas.

Divorci i shprehur me fjalë të drejtpërdrejta është i vlefshëm pa marrë parasysh qëllimin e burrit pasi fjalët e drejtpërdrejta e shprehin kuptimin në mënyrë të qartë. Është kusht që së bashku me fjalët e drejtpërdrejta të përmendet emri i gruas ose ndonjë përemër që nënkupton gruan, si p.sh. kur burri thotë: “Gruaja ime është e divorcuar” ose “Ti je e divorcuar”.

Ndërsa divorci i shprehur me fjalë të nënkuptuara është i vlefshëm vetëm kur shoqërohet me qëllimin e burrit. Nëse burri që e ka shprehur divorcin me fjalë të drejtpërdrejta thotë: “Nuk kisha për qëllim divorcin por diçka tjetër”, gjykatësi nuk e merr në konsideratë pretendimin e tij dhe divorci është i vlefshëm. Ndërsa kur burri që e ka shprehur divorcin me fjalë të nënkuptuara thotë: “Nuk kisha për qëllim divorcin por diçka tjetër”, gjykatësi duhet ta pranojë pretendimin e tij dhe divorci nuk konsiderohet i vlefshëm pasi fjalët e burrit kanë më shumë se një kuptim. Pra, në rastin e shprehjes së divorcit me fjalë të nënkuptuara është e domosdoshme të merret në konsideratë qëllimi i burrit.

Ky është mendimi i Malikut dhe Shafiut të cilët bazohen në hadithin e transmetuar nga Bukhariu, në të cilin Aishja (r.a.) tregon: “ Kur vajza e Elxhunit hyri në dhomën e Profetit (s.a.u.s.), ai iu afrua por ajo i tha: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut prej teje.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Ke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej meje?! Kthehu tek shtëpia jote.”[34]

Bukhariu, Muslimi dhe disa të tjerë transmetojnë se kur Ka’b Bin Malikut i thanë se Profeti (s.a.u.s.) e ka urdhëruar që të distancohet nga gruaja, ai tha: “A duhet ta divorcoj atë apo si të veproj?” Shokët e tij i thanë: “Jo, por mos kryej marrëdhënie intime me të dhe largohu prej saj.” Atëherë Ka’bi i tha gruas së tij: “Kthehu tek shtëpia jote.”[35]

Në hadithin e parë shprehja “Kthehu tek shtëpia jote” përdoret për divorc pasi qëllimi ka qënë i tillë. Ndërsa në hadithin e dytë e njëjta shprehje nuk përdoret për divorc sepse qëllimi nuk ka qënë i tillë.

Gjykatat sot veprojnë në bazë të këtij mendimi. Artikulli i katërt i ligjit nr. 25 të miratuar në vitin 1929 thotë: “Fjalët e nënkuptuara janë ato që e përmbajnë kuptimin e divorcit. Ato merren në konsideratë vetëm kur burri ka për qëllim divorcin.”

Ndërsa juristët e shkollës juridike hanefije mendojnë se në rastin e shprehjes së divorcit me fjalë të nënkuptuara, divorci është i vlefshëm sipas qëllimit të burrit ose sipas situatës në të cilën ato janë shprehur.

Në lidhje me këtë aspekt, ligji nuk është bazuar në mendimin e shkollës juridike hanefije për t’u mjaftuar me situatën në të cilën shprehen fjalët e nënkuptuara të divorcit. Ligji kushtëzon domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të qëllimit të burrit.

 

 

A konsiderohet divorc kur burri i thotë gruas së tij “Ti je e ndaluar për mua”?

 

Nëse burri i thotë gruas së tij “Ti je e ndaluar për mua”, ai mund të ketë për qëllim ta divorcojë atë duke përdorur shprehje jo të drejtpërdrejta të divorcit ose mund të ketë për qëllim të betohet apo diçka të ngjashme. Nëse nuk ka për qëllim divorcin, atëherë fjala e tij nuk merret në konsideratë duke e bazuar në fjalën e Aishes (r.a.): “Profeti (s.a.u.s.) është betuar për të mos kryer marrëdhënie intime me gratë e tij dhe më pas i ka bërë ato të lejuara për të përseri duke shlyer betimin e thyer.”[36] Transmetuar nga Tirmidhiu.

Ibn Abbasi (r.a.) ka thënë: “Kur një burrë ia ndalon vetes gruan e tij, kjo gjë konsiderohet betim që duhet të shlyhet.” Pastaj ka lexuar ajetin kuranor:

 

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

“I Dërguari i Allahut është shëmbulli më i lartë për ju”[37] Kuran: El Ahzab 21

Transmetuar nga Muslimi.

Nesaiu transmeton se një burrë ka shkuar tek Ibn Abbasi (r.a.) dhe i ka thënë: “Unë ia kam ndaluar vetes gruan time.” Ibn Abbasi (r.a.) i ka thënë: “Nuk është e vërtetë. Gruaja juaj nuk është e ndaluar për ju.” Pastaj ka lexuar ajetin kuranor:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ لِمَ تُحَرِّمُ مَا أَحَلَّ اللَّهُ لَكَ تَبْتَغِي مَرْضَاةَ أَزْوَاجِكَ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ قَدْ فَرَضَ اللَّهُ لَكُمْ تَحِلَّةَ أَيْمَانِكُمْ وَاللَّهُ مَوْلاكُمْ وَهُوَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

“O Profeti i Allahut, përse ia ndalon vetes atë që Allahu ta ka lejuar? A kërkon që me këtë gjë të kënaqësh gratë tuaja? Allahu është Falës dhe Mëshirues. Ai ua ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja. Allahu është Kujdestari juaj; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”[38]

Pastaj Ibn Abbasi (r.a.) i tha burrit: “Ti je i obliguar që ta shlyesh betimin në mënyrën më të rëndë që është lirimi i një robi.”[39]

Nëse burri ka për qëllim ta divorcojë gruan duke përdorur këtë shprehje jo të drejtpërdrejtë të divorcit, atëherë divorci konsiderohet i vlefshëm si në të gjitha rastet e divorcit me fjalë të nënkuptuara.

 

 

Betimi me shprehjet e muslimanëve

 

Sipas shkollës juridike shafiije, ai që betohet me shprehjet e muslimanëve dhe pastaj e thyen betimin e tij, është i obliguar ta shlyejë betimin e thyer. Ai nuk është i obliguar ta divorcojë gruan. Nuk ka asnjë thënie të Malikut që ta kundërshtojë mendimin e Shafiut, por ndjekësit e tij të vonshëm nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë thënë: “Betuesi në këtë rast është i obliguar t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.) për betimin e thyer. Ai nuk është i obliguar që ta shlyejë betimin e thyer me mënyrat e njohura të shlyerjes së betimit.”

Në Egjipt është traditë që njerëzit të betohen duke përdorur shprehjet e muslimanëve si betimi në Allahun (xh.sh.) apo në lidhje me divorcin. Kush betohet duke përdorur këto shprehje dhe më pas e thyen betimin e tij, është i obliguar që ta shlyejë betimin e thyer. Ai nuk është i obliguar që të agjërojë apo të kryejë haxhin siç është vepruar në shekujt e parë të Islamit sepse njerëzit sot nuk përdorin të tilla betime.

Ebhariu ka thënë: “Betuesi në këtë rast është i obliguar që t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.) për betimin e thyer.” Ndërsa disa dijetarë të tjerë e kanë mbështetur mendimin e Shafiut duke thënë se betuesi është i obliguar që ta shlyejë betimin e tij të thyer duke përdorur mënyrat e shlyerjes së betimit.

Mendimi më i saktë në lidhje me këtë çështje është mendimi i Ebhariut se betuesi është i obliguar t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.).

 

 

Divorci me shkrim

 

Divorci është i vlefshëm edhe kur bëhët me shkrim pa marrë parasysh nëse shkruesi është i aftë të flasë apo jo. Ashtu sikurse lejohet që burri ta divorcojë gruan e tij me fjalë, lejohet që ai ta bëjë këtë edhe me shkrim.

Juristët islamë kanë kushtëzuar që letra e divorcit të jetë e shkruar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme. Nga ana tjetër është kusht që letra t’i drejtohet gruas duke e përmendur emrin e saj. Nëse letra e divorcit nuk i drejtohet gruas duke mos u përmendur emri i saj por thjesht shkruhet “Je e divorcuar” apo “Gruaja ime është e divorcuar”, atëherë ky divorc merret në konsideratë vetëm nëse burri ka pasur për qëllim divorcin. Arsyeja e këtij gjykimi është se burri mund ta ketë shkruar letrën pa pasur për qëllim divorcimin e gruas por thjesht ka qënë duke praktikuar shkrimin.

 

 

Divorci me shenja (Divorci i memecit)

 

Memeci përdor shenjat për të komunikuar me të tjerët. Për këtë arsye, shenjat konsiderohen të barabarta me fjalët përsa i përket divorcit. Divorci konsiderohet i vlefshëm kur bëhët me shenja të qarta që nënkuptojnë përfundimin e lidhjes martesore.

Disa juristë kanë vënë kusht se lejohet përdorimi i shenjave në rastin e divorcit vetëm kur burri nuk di apo nuk është i aftë të shkruajë. Nësi burri di dhe është i aftë të shkruajë, atëherë shenjat nuk janë të mjaftueshme për vlefshmërinë e divorcit. Shkrimi përcakton dhe shpreh qëllimin e burrit në mënyrë më të qartë dhe për këtë arsye ai mund të zëvëndësohet nga shenjat vetëm në rastin e pamundësisë së përdorimit të shkrimit.

 

 

Divorci duke dërguar një lajmëtar

 

Divorci është i vlefshëm edhe në rastin e dërgimit të një personi nga burri për të lajmëruar gruan që nuk është e pranishme për vendimin e divorcit. Lajmëtari në këtë rast konsiderohet i autorizuar nga burri për të shprehur vendimin e divorcit dhe divorci i bërë prej tij konsiderohet i saktë.

 

 

Dëshmia e divorcit

 

Juristët islamë kanë rënë dakord se dëshmia nuk është kusht për vlefshmërinë e divorcit. Ata kanë argumentuar se divorci është e drejtë e burrit dhe ai nuk ka nevojë për dëshmitarë për të ushtruar të drejtën e tij. Allahu (xh.sh.) ia ka dhënë burrit këtë të drejtë duke e lënë në dorën e tij dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë çështje. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نَكَحْتُمْ الْمُؤْمِنَاتِ ثُمَّ طَلَّقْتُمُوهُنَّ

“O ju që keni besuar, kur të martoheni me besimtaret e pastaj t’i divorconi ato….”[40]

 

 

فَإِذَا بَلَغْنَ أَجَلَهُنَّ فَأَمْسِكُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ أَوْ فَارِقُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ

“Kur të afrohet mbarimi i afatit të tyre, atëherë ose mbani ato siç duhet ose divorconi me mirësi.”[41]

Ibn Abbasi (r.a.) tregon se një burrë ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, pronari im më ka martuar mua me robëreshën e tij dhe tani ai kërkon që ne të ndahemi.” Profeti (s.a.u.s.) u ngjit në minber dhe tha: “O ju njerëz, si është e mundur që njëri nga ju ta martojë robin e tij me robëreshen tij dhe pastaj të kërkojë prej tyre që ata të ndahen?! Divorci është vetëm në dorën e bashkëshortit dhe të askujt tjetër.”[42] Transmetuar nga Ibn Maxheh.

Nuk ka asnjë argument nga Tradita Profetike dhe asnjë thënie të shokëve të Profetit (s.a.u.s.) që të vërtetojë se dëshmia është kusht për vlefshmërinë e divorcit.

Juristët e shkollës shi’ite imamije e kanë kundërshtuar mendimin e shumicës së dijetarëve islame duke thënë se dëshmia është kusht për vlefshmërinë e divorcit. Ata e kanë bazuar mendimin e tyre në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut.”[43]

Tabersiu ka thënë se ajeti i mësipërm e tregon në mënyrë të qartë se dëshmia është e urdhëruar në rastin e divorcit. Ai vazhdon dhe thotë se kjo gjë është transmetuar edhe nga imamët e familjes së Profetit (s.a.u.s.). Pra, sipas tyre dëshmia është e obliguar dhe kusht për vlefshmërinë e divorcit.[44]

 

 

Cilët janë dijetarët të cilët e kanë konsideruar dëshminë kusht të obliguar për vlefshmërinë e divorcit?

 

Prej dijetarëve islamë të cilët e kanë konsideruar dëshminë kusht të obliguar për vlefshmërinë e divorcit mund të përmendim: Prijësin e besimtarëve Ali Bin Ebu Talibin, Omran Bin Hosejnin, Imam Muhamed Bakirin, Imam Xha’fer Sadikun, Ataun, Ibn Xherixhin dhe Ibn Sirinin.

Në librin “Xhevahirul Kelam” thuhet se Aliu (r.a.) i ka thënë një burri që e kishte pyetur rreth divorcit: “A ke kërkuar dëshminë e dy burrave të drejtë ashtu siç ka urdhëruar Allahu (xh.sh.)?” Burri i tha: “Jo.” Atëherë Aliu (r.a.) i tha: “Shko sepse ndarja që ti ke bërë nuk konsiderohet divorc.”

Ebu Daudi transmeton se kur Omran Bin Hosejni është pyetur rreth një burri që kishte divorcuar gruan e tij pa dëshminë e dy burrave dhe më pas e kishte rikthyer atë pa dëshminë e dy burrave, ai ka thënë: “Ti e ke ndarë gruan tënde në kundërshtim me traditën Profetike dhe e ke kthyer atë po në kundërshtim me traditën Profetike. Le të dëshmojnë divorcin dhe kthimin e saj dy burra të drejtë dhe mos e përsërit më.”[45]

Hafidh Sejuti ka thënë në librin e tij “Ed-der El Menthur”: “Martesa, divorci dhe rikthimi i gruas së divorcuar nuk janë të vlefshme pa praninë e dy dëshmitarëve.” Ai e ka thënë këtë gjykim duke komentuar ajetin e mëposhtëm kuranor:

 

فَإِذَا بَلَغْنَ أَجَلَهُنَّ فَأَمْسِكُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ أَوْ فَارِقُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ ذَلِكُمْ يُوعَظُ بِهِ مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَمَنْ يَتَّقِ اللَّهَ يَجْعَلْ لَهُ مَخْرَجًا

“Kur të afrohet mbarimi i afatit të tyre, atëherë ose mbani ato siç duhet ose divorconi me mirësi. Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut. Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe ditës së fundit. Kush u përmbahet dispozitave të Allahut, Ai ia tregon atij rrugën e shpëtimit.”[46]

Abdurrezaku tregon nga Ibn Sirini se kur Omran Bin Hosejni është pyetur rreth një burri që kishte divorcuar gruan e tij pa dëshminë e dy burrave dhe më pas e kishte rikthyer atë pa dëshminë e dy burrave, ai ka thënë: “Ai ka vepruar në mënyrë të gabuar duke e ndarë gruan e tij sipas risive në fe dhe duke e rikthyer atë në kundërshtim me traditën Profetike. Ai duket të kërkojë dëshminë e dy burrave për divorcin dhe për rikthimin e gruas së tij dhe le t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.) për mëkatin që ka bërë.”

Ndalimi i këtij veprimi nga ana e Omranit dhe urdhërimi i tij për burrin që t’i kërkojë falje Allahut (xh.sh.) tregon se dëshmia është e obliguar në rastin e divorcit dhe se mosbërja e saj konsiderohet mëkat.

Imam Ebu Xha’fer Bakiri (r.a.) ka thënë në librin e tij “El Vesail”:

“Divorci, të cilin e ka urdhëruar Allahu (xh.sh.) në librin e Tij dhe të cilin e ka praktikuar Profeti (s.a.u.s.) në traditën e tij Profetike, nënkupton që gruaja të ndahet pas pastrimit të saj nga cikli menstrual dhe me dëshminë e dy burrave të drejtë. Ajo duhet të divorcohet në gjendje të pastër dhe pa kryer marrëdhënie intime me të. Burri ka të drejtë ta rikthejë gruan e tij gjatë periudhës së pritjes. Çdo divorc që nuk bëhet në këtë mënyrë konsiderohet i pavlefshëm.”

Xha’fer Sadiku (r.a.) ka thënë: “Divorci që bëhet pa dëshminë e dy burrave nuk merret për bazë.”

Sejid El Murteda ka thënë në librin e tij “El Intisar”:

“Mendimi i Imamijve për obligimin e dëshmisë së dy burrave të drejtë në rastin e divorcit dhe për pavlefshmërinë e divorcit kur ai bëhet pa dëshminë e dy burrave mbështetet në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut.”[47]

Urdhëri i Allahut (xh.sh.) për këtë në mënyrë të qartë tregon se dëshmia është e obliguar. Lënia e obligimit duke e quajtur atë diçka të pëlqyeshme pa pasur asnjë argument të qëndrueshëm konsiderohet dalje prej dispozitave fetare.”

Hafidh Sejuti ka thënë në librin e tij “Ed-der El Menthur” duke u bazuar në thëniet e Abdurrezakut dhe Abd Bin Hamid Bin Ataut: “Martesa, divorci dhe rikthimi i gruas së divorcuar nuk janë të vlefshme pa praninë e dy dëshmitarëve.”

Imam Ibn Kethiri ka transmetuar në tefsirin e tij se Ibn Xherixhi ka thënë: “Atau ka thënë se martesa, divorci dhe rikthimi i gruas së divorcuar nuk lejohen pa praninë e dy dëshmitarëve të drejtë përveç nëse ka ndonjë justifikim të pranueshëm.” Për këtë ai është mbështetur në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut.”[48]

Fjala e Ataut “nuk lejohen” tregon në mënyrë të qartë se dëshmia është e obliguar për divorcin, ashtu siç është e obliguar për martesës dhe për rikthimin e gruas së divorcuar.

Siç e pamë më sipër, këta dijetarë prej shokëve të Profetit (s.a.u.s.) dhe ndjekësve të tyre mendojnë se dëshmia është e obliguar në rastin e divorcit. Nëse në librat e jurisprudencës islame thuhet se “juristët islamë kanë rënë të gjithë dakord se dëshmia në rastin e divorcit nuk është e obliguar por e pëlqyer”, kjo nënkupton se juristët e katër shkollave juridike kanë rënë dakord për këtë çështje. Kjo nuk nënkupton se të gjithë dijetarët islamë kanë rënë dakord për këtë çështje, pasi, siç e pamë, disa prej shokëve të Profetit (s.a.u.s.) dhe ndjekësve të tyre mendojnë se dëshmia është e obliguar në rastin e divorcit.

Duke u bazuar në çfarë cituam nga Sejutiu dhe Ibn Kethiri, mund të themi se jo vetëm dijetarët që rrjedhin nga familja e Profetit (s.a.u.s.), siç pretendon Sejid El Murteda në librin e tij “El Intisar”, por edhe Atau, Ibn Sirini dhe Ibn Xherixhi mendojnë se dëshmia është e obliguar në rastin e divorcit.

 

Divorci i zbatueshëm dhe divorci i varur nga ndonjë kusht

 

Forma e divorcit mund të jetë e zbatueshme, e varur nga ndonjë kusht ose e përcaktuar në të ardhmen.

Divorci i zbatueshëm është ai që nuk është i varur nga ndonjë kusht apo i përcaktuar në të ardhmen. Burri në këtë rast ka për qëllim që ta divorcojë gruan në momentin e të folurit, si p.sh. kur ai i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar”.

Statusi ligjor i këtij divorci:

Ky divorc konsiderohet i zbatueshëm dhe i vlefshëm që në momentin e shprehjes së tij nga burri.

Divorci i varur nga ndonjë kusht ndodh atëherë kur burri e kushtëzon divorcin me ndodhjen e diçkaje, si p.sh. kur ai i thotë gruas së tij: “Nëse shkon në këtë vend je e divorcuar”.

Në mënyrë që divorci i varur nga ndonjë kusht të jetë i vlefshëm, ai duhet të plotësojë këto tre kritere:

Duhet që kushti të mos ketë ndodhur deri në momentin e të folurit dhe të jetë i mundur për të ndodhur. Nëse kushti ka ndodhur para momentit të të folurit, si p.sh. kur burri i thotë gruas së tij: “Kur të agojë dita e re do të të divorcoj” dhe në fakt dita ka aguar më përpara, atëherë ky divorc konsiderohet i zbatueshëm pavarësisht së është varur nga një kusht.

Duhet që gruaja të jetë objekt divorci, d.m.th. bashkëshortët duhet të jenë të martuar sipas një akti martesor të vlefshëm deri në momentin e shprehjes së divorcit.

Gruaja duhet të jetë e tillë (objekt divorci) deri në momentin e ndodhjes së kushtit të përcaktuar në divorc.

Divorci i varur nga ndonjë kusht ndahet në dy lloje:

Lloji i parë: Kushti i divorcit konsiderohet i njëjtë me betimin pasi burri ka për qëllim ta drejtojë gruan për të kryer ose jo një veprim të caktuar dhe quhet “kusht në formë betimi”. Kjo i ngjason rastit kur burri i thotë gruas së tij: “Nëse del nga shtëpia je e divorcuar.” Burri ka për qëllim me këtë gjë që ta ndalojë gruan të dalë nga shtëpia dhe jo ta divorcojë atë.

Lloji i dytë: Burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan sapo të plotësohet kushti. Kjo i ngjason rastit kur burri i thotë gruas së tij: “Nëse heq dorë nga pjesa e mbetur e mehrit, unë do të të divorcoj.”

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se të dy llojet e divorcit të varur nga ndonjë kusht janë të vlefshëm. Ndërsa Ibn Hazmi është i mendimit se divorci i varur nga ndonjë kusht nuk është i vlefshëm.

Ibn Tejmia dhe Ibn Kajjimi kanë thënë: “Divorci i varur nga ndonjë kusht që ka kuptimin e betimit nuk është i vlefshëm. Në këtë rast obligohet shlyerja e betimit të thyer nëse kushti i përmendur plotësohet. Betimi i thyer mund të shlyhet duke ushqyer dhjetë të varfër ose duke i veshur ata. Në pamundësi të kësaj, burri është i obliguar të agjërojë tre ditë.” Ndërsa në lidhje me llojin e dytë, ata kanë thënë se divorci është i rregullt sapo të plotësohet kushti.

Ibn Tejmia ka thënë: “Njerëzit përdorin tre lloje shprehjesh në lidhje me divorcin:

Shprehjet e drejtpërdrejta, si p.sh. kur burri i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar”. Në këtë rast divorci është i vlefshëm pasi ai nuk është betim që mund të shlyhet.

Shprehjet e divorcit të kushtëzuar, si p.sh. kur burri thotë: “Nëse e bëj këtë, jam i obliguar ta divorcoj gruan.” Ky lloj divorci konsiderohet betim sipas mendimit të të gjithë studiuesve të gjuhës dhe legjislacionit islam.

Shprehjet e divorcit të kushtëzuar, si p.sh. kur burri thotë: “Nëse gruaja ime vepron kështu, unë do ta divorcoj atë.” Nëse burri ka për qëllim me këtë shprehje që të betohet, atëherë ai nuk konsiderohet divorc por betim. Në këtë rast obligohet shlyerja e betimit të thyer.

Nëse burri nuk ka për qëllim betimin por shpërblimin ose dënimin e gruas, si p.sh. kur ai i thotë gruas së tij: “Nëse më jep 1000 lira unë do të divorcoj” ose “Nëse kryen marrëdhënie jashtëmartesore unë do të divorcoj”, atëherë kjo shprehje konsiderohet divorc dhe jo betim që mund të shlyhet.

Të gjithë juristët islamë janë të mendimit se divorci konsiderohet i vlefshëm sapo të plotësohet kushti. Nëse burri ka për qëllim nga shprehja e tij nxitjen, ndalimin, vërtetimin apo përgënjeshtrimin e diçkaje, atëherë kjo shprehje konsiderohet betim pa marrë parasysh nëse është shprehur në formën e betimit, shpërblimit apo ndëshkimit.

Në lidhje me betimin ka dy gjykime. Ai mund të jetë betim i vlefshëm që obligohet të shlyhet ose betim i pavlefshëm që nuk obligohet të shlyhet. Disa dijetarë mendojnë se ka një lloj tjetër betimi të vlefshëm që nuk obligohet shlyerja e tij. Por në lidhje me këtë nuk ka asnjë argument nga Kurani apo Tradita Profetike për ta vërtetuar.

 

 

Si veprojnë gjykatat sot?

 

Përsa i përket divorcit të varur nga ndonjë kusht, gjykatat veprojnë në bazë të artikullit të dytë të ligjit nr. 25, të miratuar në vitin 1929. Në këtë artikull thuhet:

“Divorci i varur nga ndonjë kusht nuk merret për bazë kur burri ka për qëllim ta drejtojë gruan për të kryer ose jo një veprim të caktuar.”

Në memorandumin shpjegues të këtij artikulli thuhet: “Ligjvënësit janë bazuar në mendimin e disa juristëve hanefijë, malikijë dhe shafiijë për mosmarrjen në konsideratë të divorcit kur ai shprehet në formën e betimit. Nuk merret në konsideratë gjithashtu kushti i cili është i shprehur në formën e betimit duke u bazuar në mendimin e Ali Bin Ebu Talibit (r.a.), Sherih El Kadit, Daud Dhahiriut dhe shokëve të tij.”

 

Divorci i përcaktuar në të ardhmen

Nëse divorci shprehet për të ndodhur në një kohë të caktuar në të ardhmen, si p.sh. kur burri i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar që nesër apo vitin që vjen”, atëherë divorci konsiderohet i vlefshëm sapo të hyjë koha e përcaktuar me kusht që gruaja të jetë objekt divorci deri në kohën e përcaktuar për ndodhjen e divorcit.

Në lidhje me rastin kur burri i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar vitin që vjen”, Ebu Hanifja dhe Maliku mendojnë se gruaja duhet të divorcohet në momentin e thënies së kësaj shprehjeje. Ndërsa Shafiu dhe Ahmedi mendojnë se gruaja duhet të divorcohet vetëm kur të hyjë koha e caktuar.

Ibn Hazmi ka thënë: “Kur një burrë i thotë gruas së tij: “Në fillim të muajit tjetër ose në një kohë tjetër të caktuar do të divorcoj”, ky nuk konsiderohet divorc as në momentin e të folurit dhe as kur të vijë koha e caktuar.” Ai e ka argumentuar mendimin e tij duke thënë: “Ky lloj divorci nuk është i mbështetur as në Kuran dhe as në Traditën Profetike. Allahu (xh.sh.) na ka mësuar për divorcin e gruas para dhe pas kryerjes së marrëdhënieve intime por Ai nuk na ka folur për këtë rast. Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَنْ يَتَعَدَّ حُدُودَ اللَّهِ فَقَدْ ظَلَمَ نَفْسَهُ

“Kush i anashkalon dispozitat e Allahut, ai i ka bërë padrejtësi vetes së tij.”[49]

Përderisa ky lloj divorci nuk është i vlefshëm në kohën e shprehjes së tij, atëherë është e pamundur që ai të jetë i vlefshëm në një kohë në të ardhmen kur ai nuk shprehet.”

 

Divorci në përputhje me dispozitat fetare dhe divorci në kundërshtim me to

 

Divorci mund të jetë në përputhje me dispozitat fetare dhe në kundërshtim me to.

Divorci në përputhje me dispozitat fetare është ai që zbatohet në mënyrën e pëlqyer nga rregullat islame. Kjo nënkupton që burri ta divorcojë gruan e tij me të cilën ka kryer marrëdhënie intime një herë të vetme pas pastrimit të saj nga cikli menstrual dhe pa kryer marrëdhënie intime me të gjatë kësaj kohe. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet vetëm dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[50]

Ky ajet tregon se divorci në përputhje me rregullat islame është divorci i parë që mund të pasohet nga një rikthim i bashkëshortës dhe divorci i dytë, i cili përsëri mund të pasohet me rikthimin e bashkëshortës. Pas kësaj burri ka mundësi të zgjedhë ose të jetojë me gruan përgjithmonë me mirësi ose ta ndajë atë me mirëkuptim përfundimisht.

Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا طَلَّقْتُمْ النِّسَاءَ فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ

“O Profeti i Allahut, kur t’i divorconi gratë, divorconi ato në fillim të periudhës së pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre)[51]

Fillimi i periudhës së pritjes nënkupton kohën pas pastrimit të gruas nga menstruacionet apo lehonia dhe para se burri të kryejë marrëdhënie intime me të.

Urtësia e këtij rregulli konsiston në faktin se kur gruaja divorcohet gjatë ciklit menstrual, ajo nuk është në fillim të periudhës së pritjes dhe për pasojë kjo periudhë do të zgjatet. Ditët e menstruacioneve apo lehonisë nuk llogariten në periudhën e pritjes. Nëse burri e divorcon gruan pas pastrimit të saj por pasi ka kryer marrëdhënie intime me të, ai nuk mund ta dijë nëse gruaja është shtatzënë apo jo. Në këtë rast nuk dihet nëse gruaja duhet të respektojë periudhën e pritjes së zakonshme apo periudhën e pritjes si pasojë e shtatzanisë.

Nafiu tregon se Abdullah Bin Omeri (r.a.) e ka ndarë gruan e tij gjatë kohës që ajo ishte me menstruacione. Omeri (r.a.) e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) në lidhje me këtë dhe ai i ka thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij dhe ta mbajë atë derisa të pastrohet, pastaj le të presë që t’i vijnë menstruacionet për herë të dytë dhe derisa të pastrohet. Pas kësaj, ai mund ta mbajë atë nëse dëshiron ose mund ta ndajë para se të kryejë marrëdhënie me të. Kjo është periudha e pritjes të cilën e ka obliguar Allahu për t’i divorcuar gratë në bazë të saj.”[52] Në një transmetim tjetër thuhet se Abdullah Bin Omeri (r.a.) e ka ndarë gruan e tij gjatë kohës që ajo ishte me menstruacione. Omeri (r.a.) e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) në lidhje me këtë dhe ai i ka thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij dhe ta divorcojë atë pasi të pastrohet edhe nëse është shtatzënë.”[53] Transmetuar nga Nesaiu, Muslimi, Ibn Maxheh dhe Ebu Daudi.

Ky hadith argumenton se divorci pas pastrimit të gruas nga menstruacionet është dispozitë fetare dhe jo ndonjë risi në fe.

Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Ahmedit, sipas njërit prej dy transmetimeve të tij, dhe Shafiut, sipas njërit prej dy mendimeve të tij. Me anë të hadithit të sipërpërmendur, ata argumentojnë se ndalimi në hadith është bërë për shkak të menstruacioneve. Pas pastrimit të gruas nga menstruacionet, shkaku i ndalimit nuk egziston më. Si rrjedhim, lejohet divorci i gruas pas pastrimit të parë sikurse lejohet edhe pas pastrimeve të tjera. Transmetimi i parë i hadithit në të cilin thuhet “ta mbajë atë derisa të pastrohet, pastaj le të presë që t’i vijnë menstruacionet për herë të dytë dhe derisa të pastrohet.”, përmban një shtesë që është e obliguar të veprohet sipas saj. Autori i librit “Er-Reudatu En-Nedijjetu” ka thënë se kjo shtesë gjendet edhe në transmetimet e sakta të Bukhariut dhe Muslimit.

Ky është mendimi i Ahmedit, sipas transmetimit tjetër, Shafiut, sipas mendimit të tij të dytë, Ebu Jusufit dhe Muhamedit.

Divorci në kundërshtim me dispozitat fetare është ai që nuk përputhet me rregullat e jurisprudencës islame, si p.sh. kur burri e divorcon gruan tre herë në të njëjtën kohë, gjatë menstruacioneve dhe lehonisë ose pasi ka kryer marrëdhënie intime me të pas pastrimit të saj.

Juristët islamë janë dakord se divorci në kundërshtim me dispozitat islame është i ndaluar dhe ai që e praktikon atë konsiderohet mëkatar. Megjithatë ata janë të mendimit se divorci në kundërshtim me dispozitat islame ka efektet e tij ligjore. Ata e bazojnë mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

  • Divorci në kundërshtim me dispozitat fetare përfshihet nga ajetet kuranore të cilat flasin për divorcin në përgjithësi.
  • Thënia e Ibn Omerit (r.a.) se divorci është llogaritur kur ai e ka ndarë gruan e tij duke qënë me menstruacione dhe Profeti (s.a.u.s.) e ka urdhëruar që ta rikthejë atë.

Disa juristë islamë[54] janë të mendimit se divorci në kundërshtim me dispozitat fetare nuk ka asnjë efekt ligjor dhe nuk merret në konsideratë[55]. Ata refuzojnë ta klasifikojnë këtë lloj divorci në kategorinë e divorceve të përfshira nga ajetet kuranore të cilat flasin rreth divorcit. Këta dijetarë argumentojnë se Allahu (xh.sh.) nuk e ka lejuar këtë lloj divorci por të kundërtin e tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا طَلَّقْتُمْ النِّسَاءَ فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ

“O Profeti i Allahut, kur t’i divorconi gratë, divorconi ato në fillim të periudhës së pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre)[56]

Përveç kësaj, kur Profeti (s.a.u.s.) e ka marrë vesh divorcin e bërë nga Ibn Omeri (r.a.) është zemëruar dhe ka thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij dhe ta divorcojë atë pasi të pastrohet.” Profeti (s.a.u.s.) nuk do të zemërohej për diçka të lejuar.

Përsa i përket thënies së Ibn Omerit (r.a.) se “divorci është llogaritur”, ajo nuk e sqaron faktin se kush e ka llogaritur atë divorc. Për më tepër, Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu transmetojnë nga Ibn Omeri (r.a.) se “ai e ka divorcuar gruan e tij duke qënë me menstruacione dhe Profeti (s.a.u.s.) e ka rikthyer atë duke mos e marrë në konsideratë divorcin.”[57] Vargu i transmetimit të kësaj thënieje është i saktë dhe ajo tregon në mënyrë të qartë se Profeti (s.a.u.s.) nuk e ka marrë në konsideratë divorcin në rastin e mësipërm pasi ai nuk është plotësuar sipas rregullave të jurisprudencës islame. Ky gjykim nuk bie në kundërshtim me thënien e Ibn Omerit (r.a.) sepse argumenti që duhet të merret për bazë është transmetimi dhe jo mendimi i tij.

Pretëndimi se thënia e Profetit (s.a.u.s.) “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij” është argument për marrjen në konsideratë të divorcit është i pabazë. Ky është mendimi të cilin e ka theksuar Ibn Kajjimi në librin e tij “El Huda”.

Në lidhje me këtë çështje janë përmendur shumë thënie që kanë në vargun e tyre të transmetimit njerëz të panjohur dhe të pabesuar. Për këtë arsye ato nuk mund të merren për bazë.

Për të konkluduar mund të themi se juristët islamë janë dakord se divorci në kundërshtim me dispozitat islame është i ndaluar pasi ai është “risi” dhe, sipas thënies së Profetit (s.a.u.s.), “Çdo risi është në humbje.”[58] Nga ana tjetër, juristët islamë pajtohen se ky lloj divorci bie në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga Allahu (xh.sh.) në librin e tij dhe të shpjeguara nga Profeti (s.a.u.s.) në hadithin rreth divorcit të Ibn Omerit (r.a.). Çdo gjë që bie në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara nga Allahu (xh.sh.) dhe i Dërguari i Tij konsiderohet e papranueshme duke u bazuar në fjalën e Profetit (s.a.u.s.) të transmetuar nga Aishja (r.a.): “Kush bën një veprim në kundërshtim me çfarë jemi urdhëruar konsiderohet se ka braktisur fenë e tij.”[59]

Përderisa ky lloj divorci është “risi” dhe nuk përputhet me dispozitat e përcaktuara nga Kurani dhe Tradita Profetike, atëherë ai duhet të marrë gjykimin e risisë. Kush pretendon diçka tjetër është i obliguar që ta mbështesë mendimin e tij mbi argumente të qarta.

Dijetarët islamë të cilët mendojnë se divorci në kundërshtim me dispozitat fetare nuk ka asnjë efekt ligjor dhe nuk merret në konsideratë janë: Abdullah Bin Omeri, Said Bin Musejebi, Tausi, Khalas Bin Omeri, Ebu Kalabe, Imam Bin Ukejli nga dijetarët hanbelijë, dijetarët e familjes së Profetit (s.a.u.s.), Dhahirijtë, Ahmedi sipas njërit prej dy mendimeve të tij, dhe Ibn Tejmia.

 

Divorci i gruas shtatzënë

 

Divorci i gruas shtatzënë është i lejuar në çdo periudhë të shtatzanisë së saj. Kjo bazohet në transmetimin ku thuhet se Abdullah Bin Omeri (r.a.) e ka ndarë gruan e tij gjatë kohës që ajo ishte me menstruacione. Omeri (r.a.) e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) në lidhje me këtë dhe ai i ka thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij dhe ta divorcojë atë pasi të pastrohet edhe nëse është shtatzënë.”[60] Transmetuar nga Nesaiu, Muslimi, Ibn Maxheh dhe Ebu Daudi.

Ky është mendimi i shumicës së juristëve islamë.

Ndërsa Ebu Hanifja dhe Ebu Jusufi mendojnë se periudha në mes të dy divorceve duhet të jetë një muaj në mënyrë që të plotësohen tre ndarjet.

Muhamedi dhe Zuferi janë të mendimit se gruaja shtatzënë nuk duhet të ndahet më shumë se një herë gjatë shtatzanisë së saj. Pjesa e mbetur e ndarjeve mund të plotësohet pas lindjes së fëmijës.

 

 

Divorci i gruas së moshuar, i gruas së vogël në moshë dhe i gruas në menopauzë

 

Divorci i grave në kategoritë e mësipërme konsiderohet në përputhje me dispozitat fetare nëse bëhet një ndarje e vetme. Nuk ka asnjë kusht tjetër në lidhje me vlefshmërinë e divorcit për rastet e sipërpërmendura.

 

Numri i ndarjeve

 

Pasi burri kryen marrëdhënie intime me gruan e tij, ai ka të drejtën e tre ndarjeve. Juristët islamë janë të mendimit se ndalohet ndarja e gruas tre herë në të njëjtën kohë, qoftë me një shprehje të vetme (kur burri i thotë gruas: “Je e divorcuar tre herë”), qoftë dhe me shprehje të njëpasnjëshme(në një kohë pastërtie) (kur burri i thotë gruas: “Je e divorcuar, je e divorcuar, je e divorcuar.”).

Dijetarët argumentojnë se kur burri e ndan gruan tre herë në të njëjtën kohë, dera e pajtimit dhe e pendimit mbyllet. Kjo bie në kundërshtim me dispozitat islame sepse Allahu (xh.sh.) e ka përcaktuar divorcin me tre ndarje me qëllim që bashkëshortët të kenë mundësi ribashkimi nëse pendohen për divorcin dhe pajtohen në mes tyre. Nga ana tjetër, burri që e ndan gruan tre herë në të njëjtën kohë e dëmton gruan duke ia mohuar të drejtën e mundësisë së ribashkimit.

Mahmud Bin Lebidi tregon se kur Profeti (s.a.u.s.) u informua rreth një burri që e kishte divorcuar gruan e tij tre herë në të njëjtën kohë, ai u ngrit i zemëruar dhe tha: “Si mund të luhet me librin e Allahut (xh.sh.) dhe unë jam mes jush?!” Një burrë u ngrit dhe tha: “A ta vras personin që e ka bërë këtë?”[61]

Në librin e tij “Igathetu l-lehfun” Ibn Kajjimi ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) e ka cilësuar burrin që e ka divorcuar gruan e tij tre herë në të njëjtën kohë si një njeri që luan me librin e Allahut (xh.sh.) sepse ai e ka deformuar kuptimin e divorcit duke mos zbatuar atë që ka pasur për qëllim Allahu (xh.sh.). Allahu i Madhëruar ka pasur për qëllim që burri të ketë mundësi ta rikthejë gruan e tij pas divorcit nëse dëshiron, ndërsa personi në fjalë ka pasur për qëllim që të mos ketë mundësi rikthimi. Përveç kësaj, ndarja e gruas tre herë në të njëjtën kohe bie në kundërshtim me fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[62]

Dy herë dhe shumë herë është gjuha e Kur’anit dhe synetit madje gjuha e gjithë arabëve e jo vetëm kaq por gjuha e gjithë popujve.Dhe kur i mbledh këto herë në një të vetme i ka kapërcyer kufijtë e Allahut dhe ligjeve që na ka treguar Allahu.  Si mundet që ky njeri të ketë pasur për qëllim diçka tjetër të ndryshme nga çfarë Allahu (xh.sh.) ka pasur për qëllim?!”

Pavarësisht nga fakti se juristët islamë janë të gjithë të mendimit se ndalohet ndarja e gruas tre herë në të njëjtën kohë, ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me vlefshmërinë ligjore të këtij divorci. A mund të ketë ky lloj divorci efektet e tij ligjore? Nëse po, a konsiderohet një divorc i vetëm apo tre?

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se ky lloj divorci konsiderohet i vlefshëm nga ana ligjore[63], ndërsa një grup dijetarësh mendojnë se ky divorc nuk ka asnjë efekt ligjor.

Dijetarët që mendojnë se divorci me tre ndarje në të njëjtën kohë konsiderohet i vlefshëm nga ana ligjore, ndahen në dy grupe. Disa prej tyre janë të mendimit se ai konsiderohet divorc me tre ndarje, ndërsa të tjerët e konsiderojnë atë divorc me një ndarje të vetme. Një grup dijetarësh thonë se në rastin kur burri ka kryer marrëdhënie intime me gruan, divorci konsiderohet me tre ndarje. Nëse burri nuk ka kryer marrëdhënie intime me gruan e tij, atëherë ai konsiderohet një divorc i vetëm.

Dijetarët që mendojnë se divorci me tre ndarje në të njëjtën kohë konsiderohet nga ana ligjore si tre divorce, e mbështesin mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

فَإِنْ طَلَّقَهَا فَلا تَحِلُّ لَهُ مِنْ بَعْدُ حَتَّى تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ

“Në qoftë se ai (burri) e divorcon atë (për herë të tretë), ajo nuk është e lejuar më për atë burrë pas atij divorci derisa të martohet me një burrë tjetër.”[64]

 

2- Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَإِنْ طَلَّقْتُمُوهُنَّ مِنْ قَبْلِ أَنْ تَمَسُّوهُنَّ وَقَدْ فَرَضْتُمْ لَهُنَّ فَرِيضَةً فَنِصْفُ مَا فَرَضْتُمْ إِلا أَنْ يَعْفُونَ أَوْ يَعْفُوَ الَّذِي بِيَدِهِ عُقْدَةُ النِّكَاحِ وَأَنْ تَعْفُوا أَقْرَبُ لِلتَّقْوَى وَلا تَنسَوْا الْفَضْلَ بَيْنَكُمْ إِنَّ اللَّهَ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

“Nëse i divorconi ato para se të kryeni marrëdhënie intime me to dhe më përpara u keni caktuar një dhuratë kurorë (mehr), atëherë duhet që t’u jepni atyre gjysmën e asaj që keni caktuar, përveç nëse ato ju falin ose ju fal ai në dorën e të cilit është lidhja e kurorës. Me të vërtetë falja është më afër devotshmërisë. Mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtet, Allahu sheh çdo gjë që ju veproni.”[65]

 

3- Allahu i Madhëruar thotë:

 

لا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ إِنْ طَلَّقْتُمْ النِّسَاءَ مَا لَمْ تَمَسُّوهُنَّ أَوْ تَفْرِضُوا لَهُنَّ فَرِيضَةً

“Nuk është mëkat për ju nëse i divorconi gratë pa pasur kontakt intim me to dhe para se t’u caktoni atyre dhuratën e kurorës.”[66]

Këto ajete kuranore tregojnë se divorci një, dy apo tre herë konsiderohet i vlefshëm nga ana ligjore sepse nuk bëhet asnjë dallim në mes tyre.

 

4- Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[67]

Ky ajet nënkupton se lejohet divorci me tre apo dy ndarje, pa marrë parasysh nëse bëhen në të njëjtën kohë apo në kohë të ndryshme. Nga ana tjetër, ky ajet tregon se këto ndarje janë të vlefshme nga ana ligjore.

5- Sehl Bin Sa’di tregon se një burrë nga fisi Benu Axhlan kërkoi betimin me mallkim i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, nëse unë e mbaj gruan time, do t’i bëj padrejtësi. Prandaj ajo është e divorcuar, ajo është e divorcuar, ajo është e divorcuar.”[68] Transmetuar nga Ahmedi.

6- Hasani tregon se Abdullah Bin Omeri e ka ndarë gruan e tij gjatë kohës që ajo ishte me menstruacione njëherë vetëm. Më vonë ai dëshironte që t’i plotësonte edhe dy ndarjet e mbetura pas përfundimit të dy cikleve menstruale. Kur Profeti (s.a.u.s.) e mori vesh këtë tha: “O Ibn Omer, Allahu nuk e ka urdhëruar divorcin në këtë mënyrë. Ti ke gabuar sepse nuk ke vepruar sipas rregullave islame të cilat përcaktojnë që burri duhet të presë pastrimin e gruas dhe pastaj ta divorcojë atë një herë pas çdo pastrimi.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) e urdhëroi Ibn Omerin që ta rikthejë gruan e tij dhe pas pastrimit të saj të vendosë për ta mbajtur ose për ta divorcuar atë. Ibn Omeri e pyeti Profetin (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, a është e lejuar që ta rikthej atë pasi ta kem divorcuar tre herë?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Jo, kjo nuk lejohet. Ajo është e ndaluar për ty përgjithmonë dhe ribashkimi juaj është mëkat.”[69] Transmetuar nga Darkutniu.

7- Abdurrezaku transmeton se Ibadeh Bin Samiti ka thënë: “Gjyshi im e ka divorcuar njërën nga gratë e tij një mijë herë. Ai shkoi tek profeti (s.a.u.s) dhe e lajmëroi për ç’ka ndodhi dhe profeti i tha: “Gjyshi yt nuk e ka pasur frikë Allahun. Ai ka pasur të drejtë ta ndajë gruan vetëm tre herë, ndërsa 997 ndarjet e tjera janë padrejtësi. Nëse Allahu do, e dënon atë dhe nëse do, e fal.” Sipas një transmetimi tjetër, Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Babai yt nuk e ka pasur frikë Allahun që ta udhëzojë atë drejt shpëtimit. Gruaja e tij është e ndarë prej tij me tre të parat dhe 997 ndarjet e tjera janë mëkat në qafën e tij.”[70]

8- Transmetohet se “Profeti (s.a.u.s.) i ka kërkuar Rekanes që të betohet se ka pasur për qëllim ta divorcojë gruan vetëm një herë.”[71] Kjo tregon se nëse Rekane do të kishte pasur për qëllim që ta divorconte gruan e tij tre herë, tre divorcet do të ishin të vlefshme.

Ky është mendimi i shumë shokëve të Profetit (s.a.u.s.), pasardhësve të tyre dhe i imamëve të katër shkollave juridike islame.

Dijetarët që mendojnë se divorci me tre ndarje në të njëjtën kohë konsiderohet nga ana ligjore si një divorc i vetëm, e mbështesin mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Muslimi transmeton se Ebu Sehba i ka thënë Ibn Abbasit (r.a.): “A e di se tre ndarjet në të njëjtën kohë janë konsideruar një divorc i vetëm në kohën e Profetit (s.a.u.s.), Ebu Bekrit (r.a.) dhe në fillimin e kalifatit të Omerit (r.a.)?” Ibn Abbasi (r.a.) i është përgjigjur: “Po, e di.”[72]

Transmetohet gjithashtu se ai ka thënë: “Në kohën e Profetit (s.a.u.s.), Ebu Bekrit (r.a.) dhe dy vitet e para të kalifatit të Omerit (r.a.) tre ndarje në të njëjtën kohë janë konsideruar një divorc i vetëm.” Omer Bin Khatabi (r.a.) ka thënë: “Njerëzit ngutën të finalizojnë një çështje për të cilën atyre u është dhënë një afat pritjeje. Meqë ata dëshirojnë të nguten, atëherë ne po ua llogarisim ngutjen e tyre.”[73]

Kjo tregon se divorci me tre ndarje në të njëjtën kohë është konsideruar një divorc i vetëm.

2- Ikreme tregon se Ibn Abbasi (r.a.) ka thënë: “Rukane e ka divorcuar gruan e tij tre herë në të njëjtën kohë dhe më pas është penduar shumë për këtë. Profeti (s.a.u.s.) e ka pyetur: “Si e ke ndarë atë?” Rukane është përgjigjur: “E kam divorcuar tre herë Profeti i tha: njëkohësisht? Ai tha po.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Kjo konsiderohet një ndarje e vetme. Nëse dëshiron mund ta rikthesh atë.” Rekane e ka rikthyer gruan e tij më pas.”[74]

Transmetuar nga Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Ibn Tejmije ka thënë[75]:

“Nuk ka asnjë argument nga katër burimet e legjislacionit islam (Kurani, Tradita Profetike, Konsensusi i juristëve islame dhe Analogjia) që të dëshmojë se duhet të merren për bazë tre divorce. Martesa është e qëndrueshme dhe gruaja është e ndaluar për një burrë tjetër duke u bazuar mbi argumente të qarta. Nëse gjykojmë se duhet të merren në konsideratë tre divorce, atëherë ne do të lejojmë që gruaja të martohet me një burrë tjetër duke qënë e ndaluar për të. Ky veprim është i njëjtë me martesen që bëhet me qëllim lejimin e kthimit të gruas së divorcuar tre herë tek burri i parë (Tahlil). Ky lloj martese është vepër e shëmtuar të cilën e ka ndaluar Allahu (xh.sh.) dhe i Dërguari i Tij. Ajo nuk është praktikuar në kohën e Profetit (s.a.u.s.) dhe të zëvendësve të tij. Nuk dimë asnjë rast nga kjo periudhë që një grua të jetë kthyer pas divorcit të tretë tek burri i saj i parë me anë të kësaj martese. Profeti (s.a.u.s.) e ka mallkuar burrin e parë dhe burrin e dytë në martesen që bëhet me qëllim lejimin e kthimit të gruas së divorcuar tre herë tek burri i parë (Tahlil). Për të konkluduar themi se gjërat të cilat i ka ligjëruar Profeti (s.a.u.s.) për ndjekësit e tij janë dispozita të obliguara fetare të cilat nuk mund të ndryshohen. Askush nuk ka të drejtë të anullojë diçka të cilën e ka ligjëruar Profeti (s.a.u.s.), pas vdekjes së tij.”

Nxënësi i tij, Ibn Kajjimi, ka thënë: “Në kohën e Profetit (s.a.u.s.), Ebu Bekrit (r.a.) dhe në fillim të kalifatit të Omerit (r.a.) tre ndarje në të njëjtën kohë janë konsideruar si një

divorc i vetëm. Shokët e Profetit (s.a.u.s.) kanë vepruar në këtë mënyrë sepse ky ka qënë gjykimi i të Dërguarit të Allahut dhe asnjëri prej tyre nuk e ka kundërshtuar këtë dhe në fillim të Khalifatit të Umerit, e shumta që mund të caktohet për më pas është se Sahabët vazhdonin po ashtu edhe pse duket si e pamundur, por në të vërtetë dukej qartë se ata jepnin përgjigje në jetën e tij dhe atë të Ebu Bekrit.Madje edhe vetë profeti jepte përgjigje po ashtu.Kjo pra është përgjigjja e tij dhe vepra e shokëve të tijqë dele pa kundërshtueshme. Ndërsa Omeri (r.a.) gjykoi që ta konsideronte atë tre divorce për t’i ndëshkuar njerëzit me qëllim që ata të mos nguteshin për t’i divorcuar gratë tre ndarje në të njëjtën kohë. Ky ka qënë mendimi individual i Omerit (r.a.), i cili ka gjykuar se kjo do të jetë në dobi të njerëzve. Nuk lejohet që të anashkalohet mendimi i Profetit (s.a.u.s.) sipas të cilit kanë vepruar shokët e tij gjatë jetës së tij dhe në kohën e zëvendësve të tij.” Dhe kur dalin të vërtetat në shesh, atëherë le të thojë ndokush çfarë të dojë.

Sheukaniu ka thënë:

“Autori i librit “Bahr” tregon se ky është mendimi i Ebu Musës, Aliut (sipas një transmetimi), Ibn Abbasit, Tausit, Ataut, Xhabirit, Ibn Zejdit, El Hadit, Kasimit, Bakirit, Ahmed Bin Isait, Abdullah Bin Musa Bin Abdullahut dhe Zejd Bin Aliut sipas një transmetimi.”

Këtë mendim e kanë mbështetur edhe një grup nga dijetarët e mëvonshëm ndër të cilët përmendim Ibn Tejmijen dhe Ibn Kajjimin.

Ibn Mugithi tregon në librin e tij “El Vethaik” se ky është mendimi i Muhamed Bin Vedahut, i cili e ka transmetuar prej  Muhamed Bin Bekiut, Muhamed Bin Abduselamit, etj të cilët ishin dijetarë të Kordovës në Spanjë.

Ibn Mundhiri tregon se këtë mendim e kanë mbështetur edhe shokët e Ibn Isait si: Atau, Tausi, Omeri dhe Ibn Dinari.

Ibn Mugithi tregon gjithashtu në librin e tij “El Vethaik” se ky është mendimi i disave nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) si: Aliu (r.a.), Ibn Mes’udi, Abdurrahman Bin Aufi dhe Zubejri.

Sipas këtij mendimi veprojnë gjykatat sot në lidhje me këtë çështje. Në artikullin e tretë të ligjit nr. 25, të miratuar në vitin 1929 thuhet: “Divorci i shoqëruar me ndonjë numër, qoftë me fjalë apo me shenja, konsiderohet një divorc i vetëm.”

Në memorandumin shpjegues të këtij artikulli thuhet: [76]

Ndërsa juristët islamë të cilët mendojnë se ky lloj divorci nuk ka asnjë efekt ligjor argumentojnë se ai është i njëjtë me divorcin që plotësohet në kundërshtim me dispozitat islame. Sipas tyre, divorci që plotësohet në kundërshtim me dispozitat fetare nuk ka asnjë efekt ligjor. Të këtij mendimi janë disa nga pasardhësit e shokëve të Profetit (s.a.u.s.), ndër të cilët përmendim Ibn Ulejen, Hisham Bin Hakimin dhe Ebu Ubejden. Këtë mendim e përkrahin edhe disa nga Dhahirijtë, Bakiri, Sadiku, Nasri dhe të gjithë ata që mendojnë se divorci që plotësohet në kundërshtim me dispozitat fetare nuk ka asnjë efekt ligjor. Në këtë rast tre divorcet thuhen në të njëjtën kohë, pa marrë parasysh nëse shqiptohen në të njëjtën shprehje ose në shprehje të njëpasnjëshme. Për këtë arsye, ato janë në kundërshtim me dispozitat fetare.

Ndërsa shokët e Ibn Abbasit dhe Is’hak Bin Rahujes argumentojnë se në rastin kur burri ka kryer marrëdhënie intime me gruan, divorci konsiderohet me tre ndarje. Nëse burri nuk ka kryer marrëdhënie intime me gruan e tij, atëherë ai konsiderohet një divorc i vetëm.

 

Divorci definitiv

 

Tirmidhiu transmeton se dijetarët islamë nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) dhe dijetarët e tjerë kanë mendime të ndryshme në lidhje me divorcin definitiv. Omer Ibn Khatabi (r.a.) e ka konsideruar divorcin definitiv një ndarje të vetme, ndërsa Aliu (r.a.) e ka konsideruar atë tre ndarje. Disa dijetarë të tjerë mendojnë se kjo varet nga qëllimi i burrit. Nëse burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan një herë të vetme, atëherë divorci definitiv është vetëm një ndarje. Nëse burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan tre herë, atëherë divorci definitiv është tre ndarje. Nëse burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan dy herë, divorci definitiv në këtë rast është vetëm një ndarje. Ky është mendimi i Theuriut dhe i juristëve të Kufes.

Malik Bin Enesi mendon se kur burri kryen marrëdhënie intime me gruan, divorci definitiv është tre ndarje.

Ndërsa Shafiu është i mendimit se kur burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan një herë të vetme, atëherë divorci definitiv është vetëm një ndarje dhe burri ka të drejtën e rikthimit të gruas. Nëse burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan dy herë, atëherë divorci definitiv është dy ndarje. Nëse burri ka për qëllim që ta divorcojë gruan tre herë, atëherë divorci definitiv është tre ndarje.

 

 

Divorci me të drejtë kthimi dhe divorci përfundimtar

 

Divorci mund të jetë divorc me të drejtë kthimi ose divorc përfundimtar. Ndërsa divorci përfundimtar mund të jetë divorc përfundimtar me ndarje të vogël ose divorc përfundimtar me ndarje të madhe.

Secili nga këto lloje divorci karakterizohet nga rregulla të veçanta të cilat do t’i shqyrtojmë në vijim.

 

Divorci me të drejtë kthimi

 

Ky është divorci i gruas me të cilën burri ka kryer marrëdhënie intime, që nuk kryhet në këmbim të një shume të hollash, që nuk i paraprin asnjë divorc tjetër ose që i paraprin një divorc i vetëm. Në këtë rast nuk ka asnjë ndryshim në mes të divorcit të shprehur me fjalë të drejtpërdrejta dhe atij të shprehur me fjalë të tërthorta.

Nëse burri nuk ka kryer marrëdhënie intime me gruan e tij, e kryen divorcin në këmbim të një shume të hollash ose e ka divorcuar gruan dy herë të tjera më përpara, atëherë divorci është përfundimtar dhe jo me të drejtë kthimi.

Në artikullin e pestë të ligjit nr. 25, të miratuar në vitin 1929 thuhet: “Çdo divorc konsiderohet me të drejtë kthimi përveç atij që plotëson divorcin e tretë, që bëhet para kryerjes së marrëdhënieve intime, që bëhet në këmbim të një shume të hollash dhe atij që është cilësuar si divorc përfundimtar në këtë ligj. Cilësohet divorc përfundimtar ai që shkaktohet nga të metat e burrit, mosprezenca e tij, burgosja e tij dhe ai që bëhet për të parandaluar dëmtimin e gruas.”

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[77]

Kjo do të thotë se divorci i ligjëruar nga Allahu (xh.sh.) nuk bëhet njëkohësisht por duke u ndarë nga një periudhë kohore. Lejohet që burri ta kthejë gruan e tij për ta mbajtur atë me mirësi si bashkëshorte pas divorcit të parë, sikurse lejohet rikthimi i gruas edhe pas divorcit të dytë. Burri ka të drejtë ta rikthejë gruan e tij vetëm kur divorci është me të drejtë rikthimi. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاثَةَ قُرُوءٍ وَلا يَحِلُّ لَهُنَّ أَنْ يَكْتُمْنَ مَا خَلَقَ اللَّهُ فِي أَرْحَامِهِنَّ إِنْ كُنَّ يُؤْمِنَّ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُوا إِصْلاحًا

“Gratë e divorcuara janë të obliguara të presin tre cikle menstruale. Nëse i besojnë Allahut dhe ditës së fundit, nuk u lejohet që të fshehin çfarë Allahu ka krijuar në mitrat e tyre. Burrat e tyre kanë të drejtë që gjatë kësaj kohe t’i rikthejnë ato nëse dëshirojnë të pajtohen.”[78]

Profeti (s.a.u.s.) gjithashtu e ka urdhëruar Ibn Omerin që ta rikthejë gruan e tij duke thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij.”[79]

Përsa u përket tre rasteve të cilat përjashtohen nga divorci me të drejtë rikthimi, ato janë të përmendura në Kuran.

Divorci i cili plotëson divorcin e tretë e ndan burrin nga gruaja në mënyrë përfundimtare pasi ajo bëhet e ndaluar për të. Ajo nuk lejohet që të rimartohet me burrin e parë përveç rastit kur martohet me një burrë tjetër dhe më pas divorcohet prej tij. Është kusht që martesa dhe divorci me burrin e dytë të mos bëhet sipas një marrveshjeje në mes të dy burrave pasi kjo është e ndaluar në Islam.[80]

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

فَإِنْ طَلَّقَهَا فَلا تَحِلُّ لَهُ مِنْ بَعْدُ حَتَّى تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ

“Në qoftë se ai (burri) e divorcon atë (për herë të tretë), ajo nuk është e lejuar më për atë burrë pas atij divorci derisa të martohet me një burrë tjetër.”[81]

Divorci që bëhet para kryerjes se marrëdhënieve intime në mes të bashkëshortëve është përfundimtar pasi gruaja në këtë rast nuk është e obliguar të respektojë periudhën e pritjes. Rikthimi i gruas së divorcuar bëhet vetëm gjatë periudhës së pritjes. Përderisa nuk ka periudhë pritjeje, nuk ka as rikthim të bashkëshortëve. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نَكَحْتُمْ الْمُؤْمِنَاتِ ثُمَّ طَلَّقْتُمُوهُنَّ مِنْ قَبْلِ أَنْ تَمَسُّوهُنَّ فَمَا لَكُمْ عَلَيْهِنَّ مِنْ عِدَّةٍ تَعْتَدُّونَهَا فَمَتِّعُوهُنَّ وَسَرِّحُوهُنَّ سَرَاحًا جَمِيلا

“O ju që keni besuar, kur të keni lidhur kurorë me besimtaret dhe pastaj t’i divorconi ato para se të keni kryer marrëdhënie intime me to, ju nuk keni të drejtë të kërkoni që ato të respektojnë periudhën e pritjes. Jepuni diçka nga pasuria juaj dhe lironi ato në mënyrë të njerëzishme.”[82]

Gruaja e divorcuar para kryerjes së marrëdhënieve intime në mes të bashkëshortëve por pas të ndenjurit të tyre në intimitet është e ndaluar përfundimisht për burrin. Periudha e pritjes në këtë rast nuk është obliguar për rikthimin e saj tek burri por është për të qënë e sigurt.

Divorci në këmbim të një shume të hollash që gruaja ia jep burrit për t’u çliruar prej tij është divorc përfundimtar. Ajo i jep këto të holla si kompensim për të fituar pavarësinë nga burri. Ky lirim nuk do të kishte kuptim nëse burri do të kishte të drejtë ta rikthente gruan e tij. Allahu i Madhëruar thotë:

 

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[83]

 

Statusi i divorcit me të drejtë kthimi në jurisprudencën islame

 

Divorci me të drejtë kthimi nuk e anullon të drejtën e burrit për të shijuar kënaqësitë intime me bashkëshortën sepse ai nuk e pezullon aktin e martesës dhe varësinë e gruas nga burri. Me fjalë të tjera, divorci me të drejtë kthimi nuk ka asnjë efekt në lidhje me lejimin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin. Megjithëse divorci me të drejtë kthimi është shkak për ndarjen e bashkëshortëve, efektet e kësaj ndarjeje nuk janë të vlefshme përderisa gruaja është në periudhën e pritjes. Efektet e këtij divorci janë të vlefshme vetëm pas përfundimit të periudhës së pritjes në rast se burri nuk e rikthen gruan e tij.

Në qoftë se njëri nga bashkëshortët vdes, atëherë tjetri ka të drejtë ta trashëgojë atë perderisa periudha e pritjes nuk ka përfunduar. Gjithashtu gjatë periudhës së pritjes burri është i obliguar të përballojë shpenzimet financiare të gruas.Po kështu thuhet edhe për Dhiharin dhe Ilanë.

Nuk lejohet që me divorcin me të drejtë rikthimi të vonuar prej mehrit deri në dy kufijtë kohorë: 1- vdekja dhe divorci përfundimtar por lejohet të jepet mehër pas përfundimit të periudhës së pritjes. Rikthimi i gruas është e drejtë e burrit gjatë periudhës së pritjes. Kjo e drejtë është e ligjëruar për burrin nga Allahu (xh.sh.) dhe askush nuk ka të drejtë që ta anullojë atë. Edhe nëse burri thotë “Nuk do ta rikthej gruan e divorcuar”, e drejta e rikthimit të gruas nuk anullohet dhe burri mund ta rikthejë gruan e tij pavarësisht nga fjala që ka thënë.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

ِ وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُوا إِصْلاحًا

“Burrat e tyre kanë të drejtë që gjatë kësaj kohe t’i rikthejnë ato nëse dëshirojnë të pajtohen.”[84]

Meqënëse rikthimi i gruas është e drejtë e burrit, atëherë nuk është kusht marrja e pëlqimit të gruas apo njoftimi i saj në lidhje me këtë. Nga ana tjetër, rikthimi i gruas nuk është kusht që të bëhet me miratimin e kujdestarit të gruas apo me praninë e dy dëshmitarëve. Megjithatë prania e dy dëshmitarëve është e preferuar për të evituar mundësinë e pretendimit të gruas se burri nuk e ka rikthyer atë. Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut.”[85]

Rikthimi i gruas mund të bëhet me fjalë, kur burri i thotë gruas “Të kam rikthyer”. Rikthimi mund të bëhet edhe me anë të puthjes, kontaktit seksual apo intimiteteve të tjera bashkëshortore.

Ndërsa Shafiu mendon se rikthimi i gruas mund të bëhet vetëm me anë të fjalëve të qarta. Sipas tij, nuk lejohet rikthimi i gruas me anë të puthjes, kontaktit seksual apo intimiteteve të tjera bashkëshortore. Ai argumenton se divorci e anullon aktin e martesës.

Ibn Hazmi ka thënë:

“Kryerja e marrëdhënieve intime me bashkëshorten nuk konsiderohet rikthim i saj. Burri është i obliguar që ta shprehë rikthimin e gruas me fjalë të qarta para përfundimit të periudhës së pritjes në prani të dëshmitarëve dhe me dijeninë e gruas. Nëse burri e rikthen gruan pa praninë e dy dëshmitarëve, ky rikthim nuk është i vlefshëm duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

فَإِذَا بَلَغْنَ أَجَلَهُنَّ فَأَمْسِكُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ أَوْ فَارِقُوهُنَّ بِمَعْرُوفٍ وَأَشْهِدُوا ذَوَى عَدْلٍ مِنْكُمْ وَأَقِيمُوا الشَّهَادَةَ لِلَّهِ

“Kur të afrohet mbarimi i afatit të tyre, atëherë ose mbani ato siç duhet ose divorconi me mirësi. Kërkoni dëshminë e dy personave të drejtë nga mesi juaj dhe zbatojeni dëshminë për hirë të Allahut.”[86]

Allahu (xh.sh.) ka ndarë në mes të rikthimit, divorcit dhe dëshmisë, prandaj nuk lejohet kryerja e njërës prej tyre dhe anashkalimi i tjetrës. Ai që e divorcon gruan pa praninë e dy dëshmitarëve të drejtë dhe ai që e rikthen atë pa praninë e dy dëshmitarëve konsiderohet se ka shkelur dispozitat e Allahut (xh.sh.). Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kush bën një veprim në kundërshtim me çfarë jemi urdhëruar konsiderohet vepër e kthyer mbrapsht(e papranuar).”[87]

Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Bejhakiu dhe Taberaniu transmetojnë se kur Omran Bin Husajni është pyetur rreth një burri që kishte divorcuar gruan e tij pa dëshminë e dy burrave dhe më pas e kishte rikthyer atë pa dëshminë e dy burrave, ai ka thënë: “Ti e ke ndarë gruan tënde në kundërshtim me traditën Profetike dhe e ke kthyer atë po në kundërshtim me traditën profetike. Le të dëshmojnë për divorcin dhe kthimin e saj dy burra të drejtë dhe mos e bëj këtë gabim prapë.”

 

Argumenti i Shafiut se divorci e anullon aktin e martesës

Sheukaniu ka thënë: “Të parët tanë kanë gjykuar se periudha e pritjes është periudhë zgjedhjeje. Zgjedhja është e vlefshme me fjalë dhe me veprime. Kjo argumentohet edhe me fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

ِ وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُوا إِصْلاحًا

“Burrat e tyre kanë të drejtë që gjatë kësaj kohe t’i rikthejnë ato nëse dëshirojnë të pajtohen.”[88]

Profeti (s.a.u.s.) gjithashtu i ka thënë Omerit (r.a.): “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij”. Kjo tregon se lejohet rikthimi i gruas edhe me veprim pasi rikthimi nuk është përcaktuar të bëhet me fjalë apo me veprim. Kush mendon se kjo është përcaktuar duhet të na tregojë argumentin ku e bazon mendimin e tij.”[89]

 

 

Çfarë lejohet që burri të shikojë tek gruaja e tij e divorcuar me të drejtë rikthimi?

 

Ebu Hanifja ka thënë: “Nuk është e ndaluar që gruaja e divorcuar me të drejtë rikthimi të zbukurohet për burrin e saj duke përdorur parfum, sende floriri apo kohl. Burri nuk duhet të hyjë në banesen e gruas së divorcuar me të drejtë rikthimi pa dijeninë e saj. Ai mund ta lajmërojë atë për ardhjen e tij me fjalë apo veprime, si p.sh. duke u kollitur apo duke përplasur këpucët.”

Shafiu ka thënë: “Gruaja e divorcuar me të drejtë rikthimi është e ndaluar për burrin e saj në mënyrë definitive.”

Maliku ka thënë: “Nuk lejohet që burri të rrijë vetëm me gruan e divorcuar me të drejtë rikthimi apo të hyjë në shtëpinë ku ajo banon pa lejën e saj. Ai gjithashtu nuk lejohet që të shikojë flokët e saj. Burri mund të hajë bashkë me gruan e divorcuar me të drejtë rikthimi nëse me ta ndodhet një person i tretë.”

Ibn Kasimi ka thënë se Maliku më vonë e ka ndaluar të ngrënit e burrit me gruan e tij të divorcuar me të drejtë rikthimi.

 

 

Divorci me të drejtë kthimi e pakëson numrin e ndarjeve që burri posedon

 

Divorci me të drejtë kthimi e pakëson numrin e ndarjeve që burri posedon ndaj gruas së tij. Nëse divorci me të drejtë kthimi është ndarja e parë në mes të bashkëshortëve, atëherë burri posedon edhe dy ndarje të tjera. Nëse është ndarja e dytë, atëherë burrit i ka mbetur vetëm një ndarje. Rikthimi i gruas nuk e anullon numërimin e ndarjeve. Nëse përfundon periudha e pritjes pa e rikthyer gruan dhe ajo martohet me një burrë tjetër dhe më pas rimartohet me burrin e parë, përsëri numri i ndarjeve të mëparshme merret në konsideratë. Martesa e gruas me një burrë të dytë nuk e anullon numërimin e divorceve të mëparshme.

Transmetohet se një burrë e kishte divorcuar gruan e tij dy herë dhe ajo ishte martuar me një burrë tjetër pas përfundimit të periudhës së pritjes nga divorci i dytë. Më pas ajo është rimartuar me burrin e parë. Kur Omeri (r.a.) është pyetur rreth kësaj ka thënë: “Ajo rikthehet tek burri i parë me numrin e divorceve të mbetura.”[90]

Ky mendim transmetohet edhe nga Aliu, Zejdi, Muadhi, Abdullah Bin Amri, Said Bin Musejebi dhe Hasan Basriu.

 

Divorci përfundimtar

 

Kemi përmendur më përpara se divorci përfundimtar është divorci i gruas me të cilën burri nuk ka kryer marrëdhënie intime, divorci që bëhet në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja ose divorci i cili plotëson tre ndarjet që posedon burri.

Ibn Rushdi ka thënë në librin e tij “Bidajetul Muxhtehid”:

“Për sa  i përket divorcit përfundimtar dijetarët kanë rënë dakort se ai është në rastin kur s’ka pasur kontakt intim, në rastin e plotësimit të numrit të ndarjeve dhe në rast të divorcit me të drejtë këmbimi të hollash që i jep gruaja që quhet (Kul’un) [91]

Edhe pse dijetarët diskutojnë për këtë të fundit se a është divorc apo prishje aktmartese.Ata janë dakort se numri i cili detyron divorcin e të lirit është 3 ndarje kur këto bëhen në mënyrë të ndërprerë se Allahu thotë:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[92]

Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me rasten kur tre ndarjet bëhen në të njëjtën kohë dhe me një shprehje të vetme.”[93]

Ibn Hazmi mendon se divorci përfundimtar është vetëm në dy raste: divorci i cili plotëson tre ndarjet që posedon burri dhe divorci para kryerjes së marrëdhënieve intime. Ai thotë: “Në fenë islame nuk ka asnjë argument nga Kurani dhe Tradita Profetike për përcaktimin e divorcit pa të drejtë kthimi përveç në dy raste: kur plotësohen tre ndarjet që posedon burri së bashku apo të ndara dhe kur divorcohet gruaja me të cilën burri nuk ka kryer marrëdhënie intime. Rastet e tjera janë thjesht disa mendime që nuk mbështeten në ndonjë argument.”[94]

Kodi civil përcakton se “cilësohet divorc përfundimtar edhe ai që shkaktohet nga të metat e burrit, mosprezenca e tij, burgosja e tij apo ai që bëhet për të parandaluar dëmtimin e gruas.”

 

 

Llojet e divorcit përfundimtar

 

Divorci përfundimtar ndahet në dy lloje: divorc përfundimtar me ndarje të vogël, i cili nuk i plotëson tre ndarjet që posedon burri, dhe divorc përfundimtar me ndarje të madhe, i cili i plotëson tre ndarjet që posedon burri.

 

 

Statusi i divorcit përfundimtar me ndarje të vogël

 

Divorci përfundimtar me ndarje të vogël i anullon lidhjet martesore në mes të bashkëshortëve që nga koha e shprehjes së tij. Më anë të këtij divorci gruaja konsiderohet e huaj për burrin dhe ndalohet kënaqësia intime në mes të bashkëshortëve. Asnjëri nga bashkëshortët nuk ka të drejtë ta trashëgojë tjetrin pavarësisht nëse njëri prej tyre vdes para ose pas përfundimit të periudhës së pritjes.

Burri mund ta rikthejë gruan e tij të divorcuar sipas divorcit përfundimtar me ndarje të vogël me anë të një akti të ri martesor dhe duke përcaktuar një vlerë të re mehri pa qënë nevoja që ajo të martohet me një burrë tjetër. Kur ai e rikthen gruan e tij me një akt të ri martesor, merret në konsideratë numri i divorceve të mëparshme. Nëse burri e ka divorcuar gruan vetëm një herë më përpara, atëherë ai posedon edhe dy ndarje të tjera pas rikthimit të saj. Nëse burri e ka divorcuar gruan e tij dy herë më përpara, atëherë ai posedon vetëm një ndarje.

 

 

Statusi i divorcit përfundimtar me ndarje të madhe

 

Divorci përfundimtar me ndarje të madhe i anullon të gjitha lidhjet martesore në mes të bashkëshortëve sikurse divorci përfundimtar me ndarje të vogël. Në këtë rast zbatohen të gjitha rregullat e divorcit përfundimtar me ndarje të vogël përveç rikthimit të gruas. Burri nuk ka të drejtë ta rikthejë gruan e divorcuar sipas divorcit përfundimtar me ndarje të madhe përveç nëse ajo martohet me një burrë tjetër sipas një martese të rregullt dhe më pas divorcohet prej tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

فَإِنْ طَلَّقَهَا فَلا تَحِلُّ لَهُ مِنْ بَعْدُ حَتَّى تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ

“Në qoftë se ai (burri) e divorcon atë (për herë të tretë), ajo nuk është e lejuar më për atë burrë pas atij divorci derisa të martohet me një burrë tjetër.”[95]

Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë gruas së Refa’as: “Nuk lejohet që t’i të kthehesh tek burri yt i parë jo derisa të shijosh mjaltin e tij dhe të shijoj ai tëndin.”[96] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

 

Çështja e anullimit të divorceve të mëparshme

 

Juristët islamë kanë rënë dakord se kur gruaja e divorcuar përfundimisht me ndarje të madhe martohet me një burrë tjetër, divorcohet prej tij dhe më pas rimartohet me burrin e parë pas përfundimit të periudhës së pritjes, ajo kthehet tek ai me një lejim të ri. Burri posedon tre ndarje të reja pasi martesa e saj me burrin e dytë i ka anulluar ndarjet e martesës së parë. Përderisa ajo rikthehet tek burri i parë me një akt të ri martesor, atëherë burri posedon të drejtën e tre ndarjeve.

Ndërsa kur gruaja e divorcuar përfundimisht me ndarje të vogël martohet me një burrë tjetër pas përfundimit të përiudhës së pritjes, divorcohet prej tij dhe më pas rimartohet me burrin e parë, atëherë ajo kthehet tek ai me një lejim të ri si në rastin e gruas së divorcuar përfundimisht me ndarje të madhe. Burri posedon tre ndarje të reja sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit. Kurse Muhamedi[97] mendon se gruaja rikthehet tek burri së bashku me numrin e divorceve të mëparshme. Sipas tij, martesa e gruas me një burrë tjetër nuk i anullon divorcet e mëparshme. Kjo i ngjason rastit të gruas së divorcuar me të drejtë kthimi apo rimartesës së burrit me gruan e divorcuar përfundimisht me ndarje të vogël.Kjo çështje u quajt : Çështja e shkatërrimit : pra : A shkatërron burri i dytë më pak se dy ndarje  ashtu siç shkatërron 3 ndarjet.

 

Divorci i burrit të sëmurë për vdekje

 

Nuk ka asnjë argument të qartë nga Kurani apo Tradita Profetike në lidhje me gjykimin për divorcin e burrit të sëmurë për vdekje. Megjithatë shokët e Profetit (s.a.u.s.) na kanë përcjellur se Abdurrahman Bin Aufi (r.a.) e ka divorcuar gruan e tij, Temaduren, për herë të tretë kur ka qënë i sëmurë për vdekje. Othmani (r.a.) ka gjykuar se ajo ka të drejtë të trashëgojë burrin e saj duke thënë: “Nuk kam për qëllim të akuzoj Abdurrahmanin se i është shmangur të drejtës së saj në trashëgimi, por dëshiroj të zbatoj Traditën Profetike.”

Është transmetuar gjithashtu se Abdurrahman Bin Aufi ka thënë: “Nuk e kam divorcuar gruan time për ta dëmtuar apo për t’ia mohuar të drejtën e saj në trashëgimi.”

Tregohet se Othman Bin Affani (r.a.) e ka divorcuar gruan e tij, Ummul Benin (Bint Ujejne Bin Husn Fezariu), kur ai ka qënë i rrethuar në shtëpinë e tij. Pasi Othmani (r.a.) është vrarë, Ummul Benin ka shkuar tek Aliu (r.a.) dhe i ka treguar për divorcin. Aliu (r.a.) ka gjykuar se ajo ka të drejtë të trashëgojë burrin e saj duke thënë: “Ai e ka divorcuar atë në prag të vdekjes.”

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me divorcin e burrit të sëmurë në prag të vdekjes.

Hanefijtë kanë thënë: “Nëse burri i sëmurë e divorcon gruan e tij përfundimisht dhe ai vdes si pasojë e kësaj sëmundjeje, gruaja ka të drejtë ta trashëgojë atë. Nëse burri vdes pas përfundimit të periudhës së pritjes, gruaja nuk ka të drejtë ta trashëgojë atë. I njëjti gjykim vlen edhe kur burri del në duel, vritet si dënim për një vrasje që ai ka bërë më përpara apo kur dënohet me gjuajtjen e gurëve për veprën e imoralitetit.

Nëse burri e divorcon gruan për të tretën herë sipas kërkesës së saj apo duke i dhënë mundësinë e zgjedhjes, atëherë ajo nuk ka të drejtë trashëgimie pas vdekjes së burrit qoftë edhe gjatë periudhës së pritjes. Ndryshimi në mes të dy rasteve është se në rastin e parë burri e divorcon gruan me qëllim mohimin e të drejtës së saj në trashëgimi. Për këtë arsye jepet gjykimi i kundërt me qëllimin e tij dhe gruaja fiton të drejtën e trashëgimisë që burri ka dashur t’ia mohojë. Për këtë arsye quhet divorci i të larguarit. Ndërsa në rastin e dytë, burri nuk ka për qëllim që t’ia mohojë gruas të drejtën e trashëgimisë, por gruaja nga ana e saj është ajo që e kërkon divorcin dhe e zgjedh atë. Për këtë arsye ajo nuk ka të drejtë trashëgimie. I njëjti gjykim vlen edhe për burrin që është i rrethuar apo në sheshin e luftës dhe e divorcon gruan e tij përfundimisht.”

Ndërsa Ahmedi dhe Ibn Ebu Lejla mendojnë se gruaja ka të drejtën e trashëgimisë pas përfundimit të periudhës së pritjes nëse nuk martohet me ndonjë burrë tjetër.

Maliku dhe Lejthi janë të mendimit se gruaja ka të drejtën e trashëgimisë pa marrë parasysh nëse është në periudhën e pritjes apo jo, nëse martohet me ndonjë burrë tjetër apo jo.

Shafiu është i mendimit se gruaja nuk ka të drejtë trashëgimie. Ibn Rushdi thotë në librin e tij “Bidajetul Muxhtehid”:

“Shkaku i polemikës në mes të juristëve islamë është gjykimi i tyre i ndryshëm në lidhje me rregullin “parandalimi i së keqes” . Ata që e funksionojnë këtë rregull mendojnë se burri ka për qëllim që t’ia mohojë gruas të drejtën e trashëgimisë me anë të divorcit, gjykojnë se gruaja duhet të trashëgojë nga pasuria e burrit. Ndërsa të tjerët që kanë mendim të ndryshëm (Pra nuk e funksionojnë rregullin e mësipërm) argumentojnë se divorci është i vlefshëm dhe se gruaja nuk ka të drejtë trashëgimie. Ky grup dijetarësh argumenton se shprehja e divorcit i bën të zbatueshme të gjitha rregullat e tij, ndër të cilat edhe të drejtën e trashëgimisë.Sepse ata thonë se ai nuk e trashëgon atë n.q.s ajo vdes. Nëse nuk shprehet divorci, atëherë martesa është e qëndrueshme me të gjitha rregullat e saj.

Kundërshtarët e këtij mendimi duhet të përcaktojnë nëse bëhët fjalë për martesën apo divorcin pasi është e papranueshme në jurisprudencën islame të thuhet se kemi një lloj divorci në të cilin zbatohen disa nga rregullat e divorcit dhe disa nga rregullat e martesës.

Nga ana tjetër, është është më  e vështirë të thuhet se divorci nuk është i vlefshëm pasi në këtë rast efektet ligjore të divorcit do të pezulloheshin përkohësisht derisa të evitohen shkaqet e pavlefshmërisë. Është e papranueshme në legjislacionin islam të thuhet një gjë e tillë për rastin në fjalë. Përveç kësaj, nuk mund të themi se mendimi i Othmanit dhe Aliut përfaqëson mendimin e të gjithë shokëve të Profetit (s.a.u.s.) siç pretendojnë juristët e shkollës malikije. Vlen të përmendim se Ibn Zubejri (r.a.) ka një mendim të njohur në lidhje me këtë çështje që bie në kundërshtim me mendimin e Othmanit dhe Aliut.

Disa juristë mendojnë se gruaja ka të drejtën e trashëgimisë vetëm gjatë periudhës së pritjes duke argumentuar se gjatë kësaj periudhe zbatohen disa nga rregullat e martesës. Por në këtë rast gruaja i ngjason gruas së divorcuar me të drejtë rikthimi. Ky mendim është transmetuar nga Omeri dhe Aishja.

Disa juristë të tjerë kushtëzojnë se gruaja ka të drejtën e trashëgimisë vetëm nëse nuk martohet me ndonjë burrë tjetër. Ata e argumentojnë mendimin e tyre me rregullin e pranuar nga të gjithë juristët islamë se një grua nuk mund të trashëgojë dy burra.

Nga ana tjetër, disa juristë, ndër të cilët edhe Ebu Hanifja, mendojnë se gruaja nuk ka të drejtë trashëgimie kur ajo e kërkon vetë divorcin apo kur e zgjedh atë. Euzaiu e ka bërë dallimin në mes të divorcit të burrit dhe ndarjes së kërkuar nga gruaja. Sipas tij, gruaja ka të drejtë trashëgimie kur e ndan burri dhe nuk përfiton trashëgimi kur e kërkon vetë divorcin. Ndërsa Maliku nuk ka bërë asnjë dallim në mes të dy rasteve. Biles ai ka thënë se kur gruaja vdes, burri nuk ka të drejtë trashëgimie por nëse ai vdes, gruaja ka të drejtë ta trashëgojë atë. Në fakt ky mendim nuk përputhet me bazat e fesë islame.”[98]

Ibn Hazmi ka thënë: “Divorci i burrit të sëmurë është njëlloj si divorci i burrit të shëndoshë pa marrë parasysh nëse vdes nga ajo sëmundje apo jo. Nëse burri i sëmurë e divorcon gruan e tij për të tretën herë apo para kryerjes së marrëdhënieve intime dhe pastaj vdes, gruaja nuk ka të drejtë ta trashëgojë atë, pa marrë parasysh nëse kjo ndodh gjatë periudhës së pritjes apo pas saj. Nëse burri i sëmurë e divorcon gruan e tij me të drejtë kthimi por nuk e kthen atë gjatë periudhës së pritjes dhe vdes pas përfundimit të saj, atëherë gruaja nuk ka të drejtë trashëgimie. Nëse vdes gruaja në këto raste, as burri nuk e trashëgon atë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për divorcin e burrit të shëndoshë për gruan e sëmurë, divorcin e burrit të sëmurë për gruan e sëmurë apo divorcin e burrit të dënuar me vdekje ose shkatërronë në prag të lindjes. Këto janë disa raste për të cilat juristët kanë mendime të ndryshme.”[99]

 

Autorizimi në divorc

 

Divorci është një nga të drejtat e burrit. Ai ka të drejtë që ta divorcojë vetë gruan e tij, ta autorizojë atë për të divorcuar veten e saj apo të autorizojë dikë tjetër për të bërë divorcin në vend të tij. Autorizimi nuk e anullon të drejtën e burrit për divorc dhe nuk e pengon atë për ta ushtruar këtë të drejtë kur të dëshirojë.

Dhahirijtë nuk pajtohen me këtë mendim dhe thonë se nuk lejohet që burri të autorizojë gruan e tij për të divorcuar veten e saj apo dikë tjetër për të bërë divorcin në vend të tij.

Ibn Hazmi ka thënë: “Burri, i cili e autorizon gruan e tij për të divorcuar veten e saj, nuk është i obliguar që ta pranojë divorcin dhe nuk konsiderohet divorcues pa marrë parasysh nëse gruaja e divorcon veten e saj apo jo. Allahu (xh.sh.) ka përcaktuar që divorci është e drejtë e burrave dhe jo e grave.”

 

Shprehjet e autorizimit të gruas

 

Burri mund ta autorizojë gruan e tij për të divorcuar veten e saj me njërën nga këto mënyra:

Zgjidh vetë

Çështjen tënde e ke vetë në dorë

Divorcoje veten nëse dëshiron

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme për secilën nga këto forma. Në vijim do të trajtojmë mendimet e tyre rreth këtyre formave në mënyrë të përmbledhur.

 

1- Zgjidh vetë

Juristët islamë janë të mendimit se divorci me këtë formë është i vlefshëm pasi legjislacioni islam e ka përcaktuar atë si një nga format e divorcit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ قُلْ لأَزْوَاجِكَ إِنْ كُنْتُنَّ تُرِدْنَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا وَزِينَتَهَا فَتَعَالَيْنَ أُمَتِّعْكُنَّ وَأُسَرِّحْكُنَّ سَرَاحًا جَمِيلا وَإِنْ كُنْتُنَّ تُرِدْنَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَالدَّارَ الآخِرَةَ فَإِنَّ اللَّهَ أَعَدَّ لِلْمُحْسِنَاتِ مِنْكُنَّ أَجْرًا عَظِيمًا

“O Profet, thuaju grave tuaja: Në qoftë se dëshironi jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë unë do t’ju jap shpërblimin e divorcit dhe do t’ju lëshoj ashtu siç është e udhës. Në qoftë se doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato nga ju që bëjnë punë të mira.”[100]

Pas zbritjes së këtij ajeti kuranor, Profeti (s.a.u.s.) ka hyrë në dhomën e Aishes (r.a.) dhe i ka thënë: “Unë do të them një çështje nga Allahu me gjuhën e të Dërguarit të Tij dhe mos u ngut të përgjigjesh para se të marrësh mendimin e prindërve.” Aishja (r.a.) e pyeti: “Cila është kjo çështje, o i Dërguari i Allahut?” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) lexoi ajetin e mësipërm kuranor. Pasi e dëgjoi ajetin, Aishja (r.a.) tha: “Rreth teje, o i Dërguari i Allahut, të marr mendimin e prindërve?! Unë kam zgjedhur Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër.” Profeti (s.a.u.s.) u tregoi edhe grave të tjera ashtu siç i tregoi Aishes për këtë ajet dhe të gjitha zgjodhën Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër.”[101]

Bukhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh transmetojnë se Aishja (r.a.) ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) na ka dhënë mundësinë të zgjedhim dhe ne zgjodhëm atë. Kjo mundësi zgjedhjeje nuk është konsideruar divorc.”[102]

Sipas transmetimit të Muslimit “Profeti (s.a.u.s.) ua ka dhënë mundësinë e zgjedhjes grave të tij dhe kjo nuk është konsideruar divorc.”[103]

Kjo tregon se sikur gratë të kishin zgjedhur veten e tyre, kjo do të kishte qënë divorc sepse zgjedhja e vetes është një nga format e divorcit.[104] Të gjithë juristët islamë janë të këtij mendimi.

Por ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me llojin e divorcit kur gruaja zgjedh veten e saj. Disa prej tyre mendojnë se kjo zgjedhje konsiderohet një divorc me të drejtë rikthimi. Të këtij mendimi janë: Omeri, Ibn Mes’udi, Ibn Abbasi, Omer Ibn Abdul Azizi, Ibn Ebu Lejla, Sufjani, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku.

Disa dijetarë të tjerë mendojnë se kur gruaja zgjedh veten e saj, kjo konsiderohet një divorc përfundimtar. Ky mendim është transmetuar nga Aliu (r.a.) dhe kështu gjykojnë edhe juristët e shkollës hanefije.

Malik Bin Enesi (r.a.) ka thënë: “Nëse gruaja zgjedh veten e saj, kjo konsiderohet tre divorce. Nëse ajo zgjedh burrin e saj, kjo konsiderohet një divorc.”

Hanefijtë kushtëzojnë përmendjen e fjalës “veten” për vlefshmërinë e këtij divorci. Sipas tyre, nëse burri i thotë gruas “Zgjidh” dhe ajo i thotë “Të zgjodha ty”, kjo nuk ka asnjë vlerë dhe nuk konsiderohet divorc.

 

 

2- Çështjen tënde e ke vetë në dorë

Nëse burri i thotë gruas së tij “Çështjen tënde e ke vetë në dorë” dhe ajo zgjedh të divorcohet, atëherë ky konsiderohet një divorc i vetëm. Ky është mendimi i Omerit, Abdullah Bin Mes’udit, Sufjanit, Shafiut dhe Ahmedit.

Është transmetuar se një burrë ka shkuar tek Abdullah Ibn Mes’udi (r.a.) dhe i ka thënë: “Kam pasur një mosmarrveshje të zakonshme si të gjithë njerëzit me gruan time dhe ajo më tha: “Sikur ta kisha vetë në dorë çështjen time që ti e ke në dorë do të dija si të veproj.” Atëherë unë i thashë: “Çështjen tënde që unë kam në dorë po e lë në dorën tënde.” Ajo më tha: “Divorcohem prej teje me tre ndarje.” Abdullah Ibn Mes’udi (r.a.) i tha: “Unë mendoj se ky konsiderohet një divorc i vetëm dhe ti ke të drejtë të ribashkohesh me të gjatë periudhës së pritjes. Do t’i tregoj për këtë Prijësit të besimtarëve, Omerit (r.a.), për të marrë mendimin e tij.” Abdullah Ibn Mes’udi e takoi Omerin dhe e informoi për këtë ngjarje. Omeri tha: “Kështu i ka krijuar Allahu burrat. Ai e ka lënë një çështje në dorën e tyre dhe ata e lënë atë me paramendim në dorën e grave. Si ke gjykuar ti për këtë çështje?” Abdullahu tha: “I kam thënë se kjo konsiderohet një divorc i vetëm dhe se burri mund të ribashkohet me gruan.” Omeri (r.a.) i tha: “Edhe unë ashtu mendoj. Sikur të kisha një mendim tjetër do ta kisha marrë vesh se nuk ke gjykuar drejt.”[105]

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se ky konsiderohet një divorc i vetëm përfundimtar. Autorizimi i gruas për të pasur në dorë veten e saj nënkupton pezullimin e varësisë së gruas nga burri. Përderisa gruaja e zgjedh këtë me vullnetin e saj të lirë, atëherë varësia e gruas nga burri duhet të pezullohet. Kjo nuk mund të realizohet me anë të divorcit me të drejtë kthimi.

 

A merret në konsideratë qëllimi i burrit apo qëllimi i gruas?

 

Shafiu është i mendimit se merret në konsideratë vetëm qëllimi i burrit. Nëse burri ka për qëllim vetëm një divorc, atëherë ai konsiderohet një divorc i vetëm. Nëse ka për qëllim tre divorce, atëherë ai konsiderohet tre divorce. Sipas Shafiut, burri ka të drejtë që ta anullojë vetë divorcin po ashtu edhe numrin në vetëzgjedhje apo zotërimin nga ana e burrit divorcin gruas.

Juristët e tjerë islamë janë të mendimit se merret në konsideratë qëllimi i gruas. Nëse gruaja ka për qëllim më shumë se një divorc, atëherë ai konsiderohet më shumë se një divorc sepse gruaja është e autorizuar për këtë dhe posedon tre divorce. Nëse gruaja shpreh tre divorce dhe burri e kundërshton këtë duke pretenduar se ka pasur për qëllim vetëm një divorc, pretendimi i burrit nuk merret në konsideratë dhe gjykatësi gjykon me zgjedhjen e gruas. Ky është mendimi i Othmanit, Ibn Omerit dhe Ibn Abbasit. Ndërsa Omeri dhe Abdullah Ibn Mes’udi mendojnë se ky konsiderohet një divorc i vetëm siç e kemi përmendur më sipër.

 

A është autorizimi i gruas për të pasur në dorë çështjen e saj i vlefshëm vetëm në momentin e shprehjes apo është autorizim i përhershëm?

 

Ibn Kudame ka thënë në librin e tij “El Mugni”: “Nëse burri e autorizon gruan duke e lënë çështjen e saj në dorën e saj, atëherë ky autorizim është i përhershëm dhe nuk kufizohet vetëm me kohen e shprehjes së tij.” I njëjti mendim është transmetuar edhe nga Aliu, Ebu Theuri, Ibn Mundhiri dhe Hakemi.

Ndërsa Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se ky autorizim është i vlefshëm vetëm në momentin e shprehjes dhe gruaja nuk ka të drejtë të shprehë divorcin më vonë. Gruas i jepet e drejta e zgjedhjes vetëm në atë moment.

Mendimi i parë është mendimi më i saktë duke u bazuar në fjalën e Aliut (r.a.) rreth një burri që kishte autorizuar gruan e tij për divorc duke e lënë çështjen e saj në dorën e saj. Ai ka gjykuar se gruaja ka të drejtën e divorcit pa kufizim. Thotë (Ibn Kudame) :“Nuk dimë asnjë prej sahabëve ta ketë kundërshtuar e kështu është konsideruar vendim unanim, dhe sepse ky është një lloj autorizimi në divorc, pra është i përhershëm ashtu sikurse do të autorizonte në dorën e një burri të huaj.”

 

Tërheqja e burrit nga autorizimi

Nëse burri tërhiqet nga autorizimi që i ka bërë gruas për divorc duke thënë: “E anulloj autorizimin që të kam bërë”, atëherë autorizimi është i pavlefshëm. Të këtij mendimi janë Atau, Muxhahidi, Sha’biu, Nekhiu, Euzaiu dhe Is’haku.

Ndërsa Zuhriu, Theuriu, dhe Maliku janë të mendimit se burri nuk ka të drejtë të tërhiqet nga autorizimi që i ka dhënë gruas për divorc përderisa ia ka lënë asaj në dorë çështjen e saj.

Ibn Kudame ka thënë në librin e tij “El Mugni”:

“Nëse burri kryen marrëdhënie intime me gruan e tij, ai konsiderohet se është tërhequr nga autorizimi pasi kryerja e një veprimi që bie në kundërshtim me autorizimin e dhënë prej tij e bën atë të pavlefshëm. Autorizimi konsiderohet i pavlefshëm edhe kur gruaja e refuzon atë.”

 

3- Divorcoje veten nëse dëshiron

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se kur një burrë i thotë gruas së tij “Divorcoje veten nëse dëshiron” duke mos pasur për qëllim divorcin ose duke pasur për qëllim vetëm një divorc të vetëm, atëherë kjo konsiderohet një divorc i vetëm me të drejtë kthimi nëse gruaja e divorcon veten me të vërtetë.

Nëse gruaja e divorcon veten tre herë dhe burri e ka pasur këtë për qëllim, divorcet janë të vlefshme. Nëse burri i thotë gruas së tij “Divorcoje veten” dhe ajo përgjigjet se e ka ndarë veten e saj prej tij, atëherë divorci është i vlefshëm. Nëse ajo përgjigjet duke thënë “Kam zgjedhur veten”, atëherë kjo nuk konsiderohet divorc. Nëse burri i thotë gruas “Divorcoje veten kur të dëshirosh”, atëherë gruaja ka të drejtë ta divorcojë veten e saj në momentin e shprehjes së autorizimit dhe pas tij. Nëse burri i thotë një burri tjetër “Divorcoje gruan time prej meje”, atëherë ai ka të drejtë ta divorcojë atë në momentin e shprehjes së autorizimit dhe pas tij. Nëse burri i thotë një burri tjetër “Divorcoje gruan time nëse dëshiron”, atëherë ai ka të drejtë ta divorcojë atë në momentin e shprehjes së autorizimit.

 

 

Autorizimi i një personi për divorc

 

Lejohet që burri të autorizojë një person për të divorcuar gruan e tij. Ky autorizim ka të njëjtin status me autorizimin e gruas për të divorcuar veten e saj përsa i përket vlefshmërisë së autorizimit në kohën e shprehjes së tij apo më vonë. Shafiu ka rënë dakord në lidhje me vlefshmërinë e autorizimit edhe pas kohës së shprehjes së tij në këtë rast. Autorizimi i një personi është i vlefshëm pa marrë parasysh nëse burri thotë “Çështjen e gruas sime po e lë në dorën tënde”, “Je i lirë të zgjedhësh për divorcin e gruas sime” apo “Divorcoje gruan time”. Ndërsa juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se në këtë rast autorizimi është i vlefshëm vetëm në momentin e shprehjes së tij pasi ai i ngjason zgjedhjes kur burri i thotë gruas së tij “Zgjidh”.

Ibn Kudame ka thënë në librin e tij “El Mugni”:

“Ky autorizim është i pakufizuar dhe i përhershëm sikurse autorizimi në shitblerje. Personi i autorizuar ka të drejtë që ta divorcojë gruan e autorizuesit në çdo kohë përderisa burri nuk kryen marrëdhënie intime me gruan e tij apo nuk e anullon autorizimin. Ai ka të drejtë që ta shprehë divorcin tre herë sikurse gruaja e autorizuar. Është kusht që personi i autorizuar të jetë i shëndoshë nga ana mendore në mënyrë që autorizimi të jetë i vlefshëm. Nuk lejohet autorizimi i një fëmije apo i një të çmenduri. Në rast se kjo ndodh, atëherë divorci nuk është i vlefshëm dhe thonë Hanefitë ose Kufasit është i vlefshëm.”

 

 

Përgjithësimi[106] dhe kufizimi në format e autorizimit

 

Format e autorizimit mund të jenë të pakufizuara, d.m.th. burri i thotë gruas “Çështjen tënde e ke vetë në dorë” apo “Zgjedh veten” pa vënë ndonjë kusht. Në këtë rast gruaja ka të drejtë të divorcojë veten e saj vetëm në kohën e shprehjes së autorizimit nëse është e pranishme. Nëse gruaja nuk është e pranishme në kohën e shprehjes së autorizmit, atëherë ajo ka të drejtë të divorcojë veten e saj në momentin që e merr vesh këtë dhe jo më vonë. Nëse gruaja nuk e merr vendimin e divorcit në kohën e shprehjes së autorizimit apo në kohën që merr vesh për autorizimin, atëherë ajo nuk ka të drejtë që ta marrë këtë vendim më vonë. Sepse forma e autorizimit është e pakufizuar, dhe  afati i vlefshmërisë së autorizimit përfundon pas momentit të shprehjes së tij apo pas momentit që gruaja merr vesh rreth tij kur ajo nuk është e pranishme.

Ky gjykim vlen për format e autorizimit në të cilat nuk ka asnjë tregues përgjithësimi. Një formë autorizimi e përgjithshme është, për shembull, në rastin kur autorizimi shprehet në të njëjtën kohë me plotësimin e aktit të martesës. Sepse është e paimagjinueshme që burri ta autorizojë gruan për të ndarë veten e saj në kohën që ai nënshkruan aktin e martesës. Në këtë rast situata e shprehjes së autorizimit tregon se forma e tij është e përgjithshme.

Disa gjykata civile në Egjipt kanë marrë vendimin se autorizimi i pakufizuar që shprehet në kohën e nënshkrimit të aktit të martesës është autorizim i përgjithshëm dhe gruaja ka të drejtë ta divorcojë veten e saj kur të dëshirojë. Në të kundërt, autorizimi nuk do të kishte asnjë vlerë. Ky gjykim i dhënë nga gjykatat egjiptiane është aprovuar edhe nga gjykata e apelit.

Format e përgjithshme të autorizimit janë ato në të cilat shprehet përgjithësimi, si p.sh. kur burri i thotë gruas “Zgjedh veten kur të dëshirosh” apo “Çështjen tënde e ke vetë në dorë kur të dëshirosh”. Në këtë rast gruaja ka të drejtë ta divorcojë veten e saj kur të dëshirojë pasi burri e ka autorizuar atë me anë të një forme autorizimi të përgjithshme. Gruaja ka të drejtë ta ushtrojë të drejtën e saj në çdo kohë.

Format e autorizimit mund të jenë të kufizuara me një afat kohor të caktuar, si p.sh. kur burri e autorizon gruan për të ndarë veten e saj në limitin kohor të një viti. Në këtë rast gruaja ka të drejtë që ta divorcojë veten e saj vetëm gjatë këtij harku kohor. Pas përfundimit të kësaj periudhe gruaja nuk ka të drejtë ta divorcojë veten e saj.

 

 

Autorizimi gjatë dhe pas aktit të martesës[107]

 

Lejohet autorizimi për divorc gjatë dhe pas aktit të martesës. Juristët e shkollës hanefije mendojnë se për autorizimin e divorcit gjatë aktit të martesës është kusht që kjo të kërkohet nga gruaja, si p.sh. kur ajo i thotë burrit: “Pranoj të martohem me ty me kusht që të kem të drejtë të divorcoj veten kur të dëshiroj” dhe burri i thotë: “E pranova kushtin”. Nëse martesa plotësohet në këtë mënyrë, atëherë gruaja ka të drejtë të divorcojë veten e saj kur të dëshirojë. Sepse pranimi i tij i drejtohet në fillim martesës dhe më pas autorizimit.

Sipas juristëve hanefijë, nëse autorizimi i divorcit gjatë aktit të martesës shprehet nga burri pa u kërkuar nga gruaja si p.sh. kur ai thotë: “Martohem me ty duke të autorizuar që ta divorcosh veten tënde kur të dëshirosh” dhe gruaja thotë: “Pranova”, atëherë autorizimi nuk është i vlefshëm. Në këtë rast gruaja nuk ka të drejtë që ta divorcojë veten e saj.

Dallimi në mes të dy rasteve është se në rastin e parë burri e pranon autorizimin e kërkuar nga gruaja pas plotësimit të aktit të martesës. Në këtë mënyrë ai e autorizon gruan e tij që të divorcojë veten e saj pasi ka cilësi ligjore që të autorizojë divorcin.

Ndërsa në rastin e dytë ai e autorizon gruan për divorc para se të ketë cilësi ligjore për ushtrimin e të drejtës së divorcit për shkak se ai e bën këtë para plotësimit të aktit të martesës. Në kohën që shprehet autorizimi është shprehur vetëm “propozimi” dhe dihet se akti i martesës nuk plotësohet pa shprehjen e “propozimit” dhe “pranimit”.

 

 

Rastet në të cilat divorci bëhet nga gjykatësi

 

Në vitin 1920 dhe në vitin 1929 janë miratuar ligjet që përcaktojnë rastet në të cilat gjykatësi kryen divorcin. Këto ligje janë bazuar në hulumtimet individuale të juristëve islamë pasi në lidhje me këto raste nuk ka asnjë argument të qartë nga burimet e tjera të legjislacionit islam. Këto ligje janë miratuar në përputhje me parimet e pastra islame me qëllim përkujdesjen ndaj njerëzve dhe evitimin e situatave të vështira.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1920, përcakton lejimin e divorcit për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit si edhe për shkak të të metave të burrit.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, përcakton lejimin e divorcit për shkak të dëmtimit të gruas, mosprezencës së burrit pa ndonjë arsye dhe burgimit të tij.

Në vijim do të analizojmë secilin nga këto raste duke i shoqëruar me tekstet ligjore përkatëse me përjashtim të divorcit për shkak të të metave të burrit të cilin e kemi shtjelluar më përpara.

 

 

Divorci për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit

 

Maliku, Shafiu dhe Ahmedi janë të mendimit se lejohet ndarja e bashkëshortëve për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare[108] të gruas nga ana e burrit. Kjo ndarje bëhet vetëm nga gjykatësi kur kjo kërkohet nga gruaja dhe kur burri nuk ka asnjë pasuri që dihet.[109] Këta dijetarë e kanë mbështetur mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Burri është i obliguar që të jetojë me gruan me mirësi ose ta divorcojë atë me mirëkuptim. Allahu i Madhëruar thotë:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[110]

Nuk ka dyshim se mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit bie në kundërshtim me të jetuarit së bashku me mirësi.

2- Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَلا تُمْسِكُوهُنَّ ضِرَارًا لِتَعْتَدُوا

“Mos i mbani ato për t’i dëmtuar në mënyrë të padrejtë.”[111]

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”. Mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet dëmtim i saj dhe për këtë arsye duhet që gjykatësi të ndërhyjë për ta eleminuar këtë dëmtim.

3- Përderisa gjykatësi ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët për shkak të të metave fizike të burrit, atëherë mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet arsye më e fortë për ndarjen e tyre. Mospërballimi i shpenzimeve financiare është më i dëmshëm se të metat fizike të burrit dhe shkakton padrejtësi ndaj saj. Si rrjedhim, ndarja e bashkëshortëve nga ana e gjykatësit në rastin kur burri nuk është i aftë të përballojë shpenzimet financiare të gruas ka më shumë prioritet se ndarja e tyre për shkak të të metave fizike të burrit.

Ndërsa juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit nuk konsiderohet arsye për ndarjen e tyre nga gjykatësi pa marrë parasysh nëse burri refuzon apo nuk ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve. Këta juristë e kanë mbështetur mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

لِيُنفِقْ ذُو سَعَةٍ مِنْ سَعَتِهِ وَمَنْ قُدِرَ عَلَيْهِ رِزْقُهُ فَلْيُنفِقْ مِمَّا آتَاهُ اللَّهُ لا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلا مَا آتَاهَا سَيَجْعَلُ اللَّهُ بَعْدَ عُسْرٍ يُسْرًا

“I pasuri le të shpenzojë sipas mundësisë së tij dhe ai që është në gjëndje të vështirë financiare le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu. Me të vërtetë Allahu nuk ngarkon askënd më tepër sa i ka dhënë. Allahu do të sjellë pas vështirësisë lehtësim.”[112]

Kur Imam Zuhriu është pyetur nëse duhej ndarë një burrë nga gruaja e tij për shkak të mospërballimit të shpenzimeve të saj, ai ka thënë: “Gruaja duhet të presë dhe nuk lejohet ndarja e bashkëshortëve.” Më pas ai ka lexuar ajetin e mësipërm kuranor.

2- Disa nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) kanë qënë të pasur dhe disa të tjerë kanë qënë të varfër. Megjithatë nuk dimë asnjë rast që Profeti (s.a.u.s.) ta ketë ndarë një prej shokëve të tij nga gruaja e tij për shkak të mosaftësisë financiare për përballimin e shpenzimeve.

3- Kur gratë e Profetit (s.a.u.s.) i kanë kërkuar atij të shpenzojë për to gjëra që ai nuk kishte mundësi, ai i ka larguar ato nga shtrati për një muaj si ndëshkim ndaj tyre. Përderisa kërkimi i gjërave që buri nuk ka mundësi t’i përballojë meriton të ndëshkohet, atëherë kërkesa për ndarje si pasojë e pamundësisë së burrit për përballimin e shpenzimeve financiare është e padrejtë dhe nuk mund të merret në konsideratë.

4- Nëse burri refuzon që të përballojë shpenzimet financiare të gruas pavarësisht se ka mundësi që ta bëjë këtë, atëherë mënyra më e përshtatshme për eleminimin e kësaj padrejtësie është shitja e pasurisë së tij për të përballuar shpenzimet ose burgosja e tij derisa të paguajë shpenzimet e gruas. Përderisa ka mënyra të tjera për eleminimin e kësaj padrejtësie, atëherë nuk duhet që të kërkohet ndarja e bashkëshortëve. Gjykatësi nuk ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët për shkak të mospërballimit të shpenzimeve pasi, siç e dimë, divorci është gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu (xh.sh.). Divorci është e drejtë e burrit dhe gjykatësi nuk ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët përderisa ka mënyra të tjera për eleminimin e kësaj padrejtësie.

Gjykimi i mësipërm vlen për rastin kur burri është i aftë nga ana financiare për përballimin e shpenzimeve dhe refuzon pa të drejtë që ta bëjë këtë. Nëse burri është në gjëndje të vështirë financiare dhe nuk ka mundësi që të përballojë shpenzimet e gruas, atëherë kjo nuk konsiderohet padrejtësi pasi Allahu (xh.sh.) nuk e ngarkon askënd më shumë se Ai i ka dhënë pasuri.

Në artikullin e katërt të ligjit të miratuar në vitin 1920 thuhet:

“Kur burri refuzon që të përballojë shpenzimet financiare të gruas së tij dhe ai ka një pasuri të njohur, atëherë gjykatësi vendos pagimin e shpenzimeve të gruas nga kjo pasuri e burrit. Nëse burri nuk ka ndonjë pasuri që dihet dhe refuzon të përballojë shpenzimet financiare të gruas pa treguar nëse është i pasur apo i varfër, atëherë gjykatësi urdhëron ndarjen e bashkëshortëve në çast. Nëse burri pretendon se nuk ka mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e gruas së tij por nuk arrin që ta vërtetojë pretendimin e tij, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve në atë moment. Nëse burri vërteton se nuk ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve, atëherë gjykatësi i jep atij një afat kohor jo më të gjatë se një muaj për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj gruas. Nëse burri nuk i shlyen detyrimet financiare ndaj gruas së tij brënda afatit kohor të caktuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve.”

Artikulli i pestë thotë:

“Nëse burri nuk është prezent pasi ai ndodhet në një vend të afërt dhe ka një pasuri të njohur, atëherë gjykatësi vendos pagimin e shpenzimeve të gruas nga kjo pasuri e burrit. Nëse burri nuk ka ndonjë pasuri të njohur që mund të evidentohet, atëherë gjykatësi i cakton atij një afat kohor për të dërguar shpenzimet e gruas së tij. Nëse burri nuk i dërgon shpenzimet e gruas ose nuk paraqitet për përballimin e shpenzimeve brënda afatit të caktuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve pas përfundimit të afatit të caktuar.

Nëse burri nuk është prezent pasi ai ndodhet në një vend të largët, në një vend të panjohur ose ka humbur dhe nuk ka ndonjë pasuri të evidentuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve.”

Artikulli i gjashtë thotë:

“Divorci i bërë nga gjykatësi për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet divorc me të drejtë kthimi. Burri ka të drejtë që ta rikthejë gruan e tij gjatë periudhës së pritjes nëse vërtetohet se ai ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve dhe është i gatshëm që ta bëjë këtë. Nëse nuk vërtetohet se burri ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve dhe se ai është i gatshëm që ta bëjë këtë, atëherë rikthimi i gruas është i pamundur.”

 

 

Divorci për shkak të Dëmtimit të gruas

 

Imam Maliku[113] është i mendimit se gruaja ka të drejtë të kërkojë nga gjykatësi divorcin nga burri i saj në rast se ajo pretendon se burri e dëmton atë në mënyrë të tillë që jeta bashkëshortore në mes tyre bëhet e pamundur. Kjo përfshin ushtrimin e dhunës, ofendimin, dëmtimin e saj në mënyra të ndryshme që nuk mund të përballohen dhe detyrimin e saj për të thënë apo kryer diçka të ndaluar me fjalë apo vepra.

Nëse pretendimi i gruas vërtetohet dhe rezulton se dëmtimi e bën jetën bashkëshortore të pamundur, atëherë gjykatësi duhet të përpiqet që t’i pajtojë bashkëshortët. Nëse nuk arrihet pajtimi i bashkëshortëve, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e tyre përfundimisht.

Nëse gruaja nuk arrin që të vërtetojë pretendimin e saj dhe burri nuk e pranon akuzën e gruas, atëherë pretendimi i saj nuk merret në konsideratë.

Nëse gruaja ankohet nga burri i saj në mënyrë të vazhdueshme por nuk arrin që të evidentojë vërtetësinë e pretendimeve të saj, atëherë gjykatësi përcakton dy burra të drejtë dhe në moshë madhore që të gjykojnë këtë çështje. Është kusht që këta dy burra të kenë njohuri rreth jetës bashkëshortore të këtij çifti dhe të jenë të drejtë dhe të zgjuar për t’i pajtuar ata. Preferohet që këta dy persona të jenë të afërm të çiftit nëse kjo është e mundur pasi kështu ata do të kenë më shumë njohuri rreth konflikteve të bashkëshortëve dhe do të jenë më të aftë për t’i pajtuar ata. Nëse dy personat e caktuar nga gjykatësi nuk arrijnë që t’i pajtojnë bashkëshortët për shkak të refuzimit të burrit apo të dy bashkëshortëve, atëherë ata vendosin ndarjen e tyre në mënyrë përfundimtare[114]. Nëse vërtetohet se gruaja është shkaku i mospajtimit të bashkëshortëve, atëherë ata vendosin ndarjen e tyre sipas rregullave të divorcit të kërkuar nga gruaja duke ofruar një kompensim financiar (Khul’a).

Nëse dy personat e caktuar nuk arrijnë në një konkluzion të përbashkët, atëherë gjykatësi i urdhëron ata që të fillojnë studimin e kësaj çështjeje rishtazi. Nëse përseri nuk arrijnë në ndonjë konkluzion, atëherë gjykatësi i zëvendëson ata me dy persona të tjerë. Dy personat e caktuar duhet që të paraqesin para gjykatësit konkluzionin e tyre dhe gjykatësi, nga ana e tij, duhet që veprojë sipas gjykimit të tyre. Kjo bazohet në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَإِنْ خِفْتُمْ شِقَاقَ بَيْنِهِمَا فَابْعَثُوا حَكَمًا مِنْ أَهْلِهِ وَحَكَمًا مِنْ أَهْلِهَا إِنْ يُرِيدَا إِصْلاحًا يُوَفِّقْ اللَّهُ بَيْنَهُمَا

“Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre, atëherë dërgoni një person të drejtë nga familja e tij dhe një person të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu do t’ua mundësojë afrimin mes tyre (burrit dhe gruas).”[115]

Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[116]

Meqë nuk është e mundur që bashkëshortët të jetojnë se bashku me mirësi, atëherë obligohet ndarja e tyre me mirëkuptim. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”.[117]

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë:

Artikulli i gjashtë

“Nëse gruaja pretendon se burri e dëmton atë në mënyrë të tillë që jeta bashkëshortore në mes tyre është e pamundur, atëherë ajo ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi. Gjykatësi i ndan bashkëshortët përfundimisht nëse evidentohet vërtetësia e pretendimit të gruas dhe pajtimi i bashkëshortëve është i pamundur. Nëse refuzohet kërkesa e gruas për shkak të mosvërtetimit të pretendimit të saj dhe më pas ajo ankohet në mënyrë të vazhdueshme pa arritur që të evidentojë dëmtimin e saj nga burri, atëherë gjykatësi cakton dy persona për të dhënë gjykimin e tyre në lidhje me këtë çështje në përputhje me artikujt 7, 8, 9, 10 dhe 11 të këtij ligji.”

Artikulli i shtatë

“Eshtë kusht që dy personat e caktuar nga gjykatësi të jenë të drejtë dhe të afërm të bashkëshortëve nëse kjo është e mundur. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë caktohen dy persona të tjerë të cilët kanë njohuri rreth jetës bashkëshortore të çiftit dhe që janë të aftë për pajtimin e tyre.”

Artikulli i tetë

“Dy personat e caktuar nga gjykatësi duhet që të studiojnë shkaqet e mosmarrveshjeve në mes të bashkëshortëve dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për pajtimin e tyre. Nëse pajtimi në mes të bashkëshortëve mund të arrihet në ndonjë mënyrë të caktuar, atëherë ata duhet që të japin gjykimin e tyre për këtë mënyrë.”

Artikulli i nëntë

“Nëse dy personat e caktuar nga gjykatësi nuk arrijnë që t’i pajtojnë bashkëshortët për shkak të sjelljes së keqe të burrit, sjelljes së keqe të dy bashkëshortëve apo për shkak të mosgjetjes së fajtorit, atëherë ata vendosin ndarjen e bashkëshortëve përfundimisht.”

Artikulli i dhjetë

“Nëse dy personat e caktuar nuk arrijnë në një konkluzion të përbashkët, atëherë gjykatësi i urdhëron ata që të fillojnë studimin e çështjes nga e para. Nëse përseri nuk bien dakord, atëherë ata zëvendësohen nga dy persona të tjerë.”

Artikulli i njëmbëdhjetë

“Dy personat e caktuar duhet që të paraqesin para gjykatësit konkluzionin e tyre dhe gjykatësi, nga ana e tij, duhet që veprojë sipas gjykimit të tyre.”

 

 

Divorci për shkak të mosprezencës së burrit

 

Maliku dhe Ahmedi[118] janë të mendimit se lejohet divorci i gruas për shkak të mosprezencës së burrit me qëllim evitimin e dëmtimit të gruas. Sipas tyre, gruaja ka të drejtë që të kërkojë ndarjen nga gjykatësi nëse burri i saj nuk është prezent pa marrë parasysh nëse i ka lënë asaj pasuri për të përballuar shpenzimet apo jo. Për kërkimin e divorcit duhet të plotësohen këto kushte:

Mungesa e burrit të jetë pa ndonjë arsye të pranueshme.

Mungesa e burrit të jetë shkak për dëmtimin e gruas.

Burri të jetojë në një vend të ndryshëm nga vendi ku jeton gruaja.

Të kalojë një vit nga dëmtimi i gruas për shkak të mosprezencës së burrit.

Nëse burri nuk është prezent pranë gruas së tij për ndonjë arsye të pranueshme, si p.sh. kërkimi i diturisë, ushtrimi i një aktiviteti tregtar, punësimi jashtë vendit apo kryerja e shërbimit ushtarak, atëherë gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë ndarjen nga gjykatësi. I njëjti gjykim vlen edhe për rastin kur burri gjendet në të njëjtin vend ku jeton gruaja.

Vlen të përmendet se gruaja ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga largësia e burrit prej saj dhe jo thjesht nga mosprezenca e tij. Është kusht që të kalojë një vit që dëmtimi i gruas të jetë evident dhe ajo ta ndiejë mungesën e burrit dhe mallin për të në mënyrë që t’i frikësohet rënies në mëkat.

Periudha një vjeçare[119] është përcaktuar nga Imam Maliku ndërsa disa dijetarë të tjerë e kanë caktuar atë tre vjet. Ahmedi është i mendimit se periudha minimale për kërkimin e divorcit për shkak të mosprezencës së burrit është gjashtë muaj sepse kjo është periudha gjatë së cilës gruaja mund ta përballojë mungesën e burrit të saj. Ai e ka argumentuar mendimin e tij me gjykimin e Hafsasë pasi e ka pyetur Omeri (r.a.) në lidhje me këtë çështje. Këtë gjykim e kemi trajtuar me hollësi në kapitullin e dytë të këtij libri.

 

 

Divorci për shkak të burgosjes së burrit

 

Maliku dhe Ahmedi mendojnë se lejohet divorci i gruas për shkak të burgosjes së burrit. Burgosja e burrit e dëmton gruan njëlloj si mosprezenca e tij. Nëse një burrë denohet me tre vjet heqje lirie ose më shumë sipas një gjykimi të formës së prerë dhe ai kalon në burg një vit ose më shumë, atëherë gruaja ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga mosprezenca e burrit. Sipas Malikut, nëse evidentohet vërtetësia e pretendimit të saj, gjykatësi duhet ta ndajë atë nga burri me një divorc përfundimtar. Ndërsa Ahmedi mendon se kjo nuk është divorc por prishje e aktit të martesës.

Ibn Tejmia thotë se sipas konsensusit të juristëve islamë, gruaja e burrit të burgosur, të zënë rob dhe atij që u ngjason këtyre dy rasteve konsiderohet njëlloj si gruaja e burrit që ka humbur pasi ajo nuk mund të ketë asnjë dobi nga burri.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë:

Artikulli i dymbëdhjetë

“Nëse burri nuk është prezent për një vit ose më shumë pa ndonjë arsye të pranueshme, atëherë gruaja e tij ka të drejtë që të kërkojë divorcin. Gjykatësi duhet që ta divorcojë atë përfundimisht nëse është dëmtuar nga mosprezenca e burrit të saj edhe nëse ai i ka lënë asaj pasuri të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve.”

Artikulli i trembëdhjetë

“Nëse është i mundur dërgimi i letrave tek burri që nuk është prezent, gjykatësi i cakton atij një afat kohor ku e paralajmëron për divorcin e gruas së tij pas këtij afati nëse ai nuk vjen për të jetuar me të apo nuk e merr gruan me vete në vendin ku ai jeton. Nëse burri nuk e respekton këtë afat duke mos pasur ndonjë arsye të pranueshme, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve përfundimisht. Nëse nuk është i mundur dërgimi i letrave tek burri që nuk është prezent, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve pa paralajmërim apo përcaktim të ndonjë afati kohor.”

Artikulli i katërmbëdhjetë

“Gruaja e një burri të denuar me tre vjet heqje lirie ose më shumë sipas një gjykimi të formës së prerë, ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi pas kalimit të një viti ose më shumë nga burgosja. Gjykatësi vendos që ta divorcojë atë përfundimisht për shkak të dëmtimit nga mosprezenca e burrit edhe nëse ai i ka lënë asaj pasuri të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve.”

Ndërsa divorcin për shkak të të metave fizike të burrit e kemi shtjelluar me hollësi më përpara.

 

Divorci në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (Khul’a)

 

Jeta bashkëshortore është e bazuar në prehje, dashuri, mëshirë, sjellje të mirë dhe në plotësimin e obligimeve nga secili prej bashkëshortëve. Megjithatë gjatë martesës mund të ndodhë diçka që e bën burrin ta urrejë gruan e tij dhe anasjelltas. Në këtë rast Islami na këshillon që të jemi të duruar dhe të mundohemi t’i largojmë shkaqet e urrejtjes. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ فَإِنْ كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَى أَنْ تَكْرَهُوا شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللَّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيرًا

“Trajtoni gratë tuaja me mirësi. Nëse i urreni ato, tregohuni të duruar sepse mund të ndodhë që Allahu të japë shumë të mira në diçka që ju e urreni.”[120]

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Besimtari nuk duhet ta urrejë besimtaren. Në qoftë se ai urren tek ajo ndonjë cilësi duhet të pëlqejë tek ajo ndonjë cilësi tjetër.”[121]

Por në disa raste urrejtja është e madhe dhe konfliktet janë të shpeshta. Kjo e bën të pamundur evitimin e shkaqeve të mosmarrveshjeve dhe urrejtjes dhe rezulton në humbjen e durimit. Në këto rrethana bazat e jetës bashkëshortore tronditen rëndë dhe për pasojë humbet prehja, dashuria, mëshira, sjellja e mirë dhe plotësimi i obligimeve nga secili prej bashkëshortëve. Jeta bashkëshortore në këto raste është e pamundur që të rikuperohet dhe për këtë arsye Islami e ka lejuar ndarjen e bashkëshortëve.

Nëse urrejtja është nga ana e burrit, atëherë ai posedon të drejtën e divorcit për përfundimin e jetës bashkëshortore sipas dispozitave të caktuara nga Allahu (xh.sh.).

Ndërsa kur urrejtja është nga ana e gruas, Islami ka lejuar që ajo t’i japë fund jetës martesore me anë të divorcit në këmbim të një shume të hollash të ofruara prej saj si kompensim (Khul’a). Kjo nënkupton se gruaja i kthen burrit vlerën e dhuratës së kurorës në këmbim të përfundimit të lidhjes martesore. Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

وَلا يَحِلُّ لَكُمْ أَنْ تَأْخُذُوا مِمَّا آتَيْتُمُوهُنَّ شَيْئًا إِلا أَنْ يَخَافَا أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nuk lejohet që t’u merrni grave tuaja asgjë nga ajo që u keni dhuruar për martesë, vetëm kur të dy frikësohen se nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut.Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[122]

Marrja e kompensimit nga burri është veprim i drejtë pasi dihet se burri i ka dhënë gruas dhuratën e kurorës (mehrin) dhe ka përballuar të gjitha shpenzimet e martesës dhe të dasmës dhe ka shpenzuar për të. Ndërsa gruaja, nga ana e saj, i ka mohuar këto mirësi duke kërkuar ndarjen nga burri i saj. Për këtë arsye është e drejtë që ajo t’i kthejë burrit çfarë ka marrë prej tij.

Nëse urrejtja është nga të dyja palët njëkohësisht, atëherë ndarja dhe pasojat e saj varen nga pala që e kërkon divorcin e para. Nëse burri e kërkon ndarjen i pari, atëherë ai posedon të drejtën e divorcit dhe është i obliguar që të përballojë pasojat financiare të këtij vendimi. Nëse gruaja e kërkon ndarjen e para, atëherë ajo ka të drejtën e divorcit në këmbim të një shume të hollash të ofruara prej saj si kompensim (Khul’a). Pra, edhe gruaja duhet të marrë përsipër pasojat financiare të vendimit të saj për divorc.

Divorci në këmbim të një shume të hollash të ofruara prej gruas si kompensim (Khul’a) ka qënë i njohur edhe në periudhën e injorancës paraislame. Transmetohet se Amir Bin Dharbi e ka martuar vajzën e tij me djalin e vëllait, Amir Bin Harithin. Pas disa kohësh, gruaja filloi ta urrente burrin e saj dhe shkoi tek babai për t’u ankuar. Amir Bin Dharbi i tha Bin Harithit: “Nuk dua të bashkoj humbjen e gruas dhe humbjen e pasurisë tënde. Për këtë arsye po e ndaj vajzën time prej teje duke të kthyer pasurinë që ti i ke dhënë asaj më parë.”

 

Përkufizimi i këtij divorci

 

Në gjuhën arabe ky lloj divorci rrjedh nga fjala “khale’a” që do të thotë “heq rrobat”. Gruaja është rrobë për burrin dhe burri është rrobë për gruan. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ

“Ato janë rroba për ju dhe ju jeni rroba për ato”[123]

Ky lloj divorci quhet edhe “pagesë lirimi” sepse gruaja liron veten e saj nga varësia prej burrit duke i kthyer atij dhuratën e kurorës.

Përkufizimi i këtij divorci sipas juristëve islamë është “ndarja e burrit nga gruaja e tij në këmbim të një kompensimi material”. Kjo bazohet në hadithin e mëposhtëm:

Bukhariu dhe Nesaiu transmetojnë nga Ibn Abbasi (r.a.) se gruaja e Thabit Bin Kajs Bin Shemasit ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk e qortoj burrin tim për moralin apo besimin e tij*, por e urrej atë dhe kam frikë se do të bëhem mohuese edhe pse jam muslimane.” Profeti (s.a.u.s.) e pyeti: “A ia kthen atij kopështin që të ka dhënë për mehr në këmbim të divorcit?” Gruaja e pranoi këtë. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha Thabitit: “Pranoje kopështin dhe divorcoje atë.”[124]

 

Shprehjet e këtij divorci

 

Juristët islamë janë të mendimit se ky lloj divorci duhet të bëhet me fjalën “khale’a” dhe derivatet e saj, si edhe me shprehje të tjera të cilat kanë të njëjtin kuptim me të, si p.sh. “lirim me pagesë” apo “divorc me pëlqimin e të dy palëve”. Nëse divorci nuk bëhet me fjalën “khale’a” apo me shprehje të ngjashme me të, si p.sh. kur burri i thotë gruas “Të divorcoj ty në këmbim të kësaj shume të hollash”, atëherë ai nuk konsiderohet “khul’a” por divorc për të përfituar një pasuri.

Ibn Kajjimi e ka analizuar këtë mendim dhe ka thënë: “Ai që e kupton domethënien e kontratave, është i vetëdijshëm se qëllimi i tyre realizohet edhe pa përmendjen e fjalëve të veçanta. Divorci në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (Khul’a) konsiderohet prishje e aktit të martesës edhe nëse bëhet me fjalë të tjera.” Ky është njëri nga dy mendimet e shkollës juridike hanbelije. Ibn Abbasi dhe Ibn Tejmia gjithashtu kanë përkrahur këtë mendim.( Thotë Ibn Tejmijeh: “Ata që i morrën për konsideratë shprehjet dhe i qëndruan  besnikë të tyre i konsiderojnë ato ndërmjet ligjeve të marrëdhënieve, si psh : divorci duhet të jetë me fjalën divorc”.)

Ibn Kajjimi ka thënë më tej:“Rregullat e jurisprudencës islame tregojnë se në kontrata kanë rëndësi qëllimet dhe kuptimet dhe jo shprehjet e veçanta. Kjo vërtetohet më së miri me faktin se Profeti (s.a.u.s.) e ka urdhëruar Thabit Bin Kajs Bin Shemasin që ta ndajë gruan e tij duke përdorur fjalën “talak” (divorc) dhe jo “khul’a”. Megjithatë, Profeti (s.a.u.s.) e ka urdhëruar gruan e Thabitit që ta respektojë periudhën e pritjes vetëm një muaj. Kjo tregon se ndarja e bërë ka qënë “khul’a” pavarësisht se është kryer duke përdorur fjalën “talak” (divorc).

Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar ka folur për këtë lloj ndarjeje duke përdorur shprehjen “lirim me pagesë” dhe kjo nuk kufizohet me përdorimin e fjalëve të veçanta. Divorci në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (Khul’a) është lloj i veçantë divorci dhe nuk ka të njëjtat regulla si divorci që është në dorën e burrit. Kështu, në këtë lloj divorci nuk ka të drejtë kthimi të gruas dhe periudha e pritjes nuk është tre cikle menstruale por vetëm një.”[125]

 

Kompensimi në këtë divorc

 

Divorci “khul’a”, siç e përmendëm më sipër, është prishja e lidhjes martesore në këmbim të një pasurie si kompensim. Si rrjedhim, kompensimi është pjesë thelbësore e kuptimit të këtij divorci. Nëse divorci bëhet pa dhënien e kompensimit material, ai nuk konsiderohet “khul’a”. Kështu, nëse burri deklaron se e ndan gruan e tij duke përdorur fjalën “khul’a”, ndërsa ajo nuk i jep atij ndonjë kompensim për këtë ndarje, atëherë ndarja konsiderohet divorc me të drejtë kthimi dhe jo “khul’a”. Nëse burri nuk ka pasur për qëllim divorcin, atëherë fjala “khul’a”, e shprehur prej tij, nuk ka asnjë efekt ligjor.Sepse është prej shprehjeve të tërthorta që kanë nevojë për qëllim.

 

Çdo gjë që mund të jepet për mehr, lejohet të jepet edhe si kompensim për divorc

Juristët e shkollës shafiije janë të mendimit se kompensimi i divorcit “khul’a” mund të jetë mehri i plotë, një pjesë e tij apo çdo pasuri tjetër pa marrë parasysh nëse ka vlerë më të madhe apo më të vogël se mehri pa pasur këtu dallim mes parasë, borxhit apo diçkaje tjetër me vlerë. Ata kanë konkluduar se “çdo gjë që mund të jepet për mehr, lejohet të jepet edhe si kompensim për divorc”. Ky mendim bazohet në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[126] Sepse ky është akt për kënaqësinë dhe i përngjason martesës.

Është kusht që kompensimi i këtij divorci të jetë një pasuri e njohur dhe në posedim të gruas. Kjo do të thotë se gruaja duhet të jetë e aftë për dhënien e kompensimit. Divorci “khul’a” i ngjason kontratave të tjera të shoqëruara me kompensim financiar si shitblerja, martesa, etj. Këto kushte janë thelbësore për një divorc “khul’a” të rregullt.

Divorci “khul’a” i parregullt nuk është kusht të njihet dhe sikur të ndodh atëherë kur kompensimi caktohet nga një pasuri e panjohur që nuk dihet nëse është në posedim të gruas apo jo, si psh: një rrobë të përcaktuar ose një ngarkesë kafshe çfarëdo kur vlera e kompensimit nuk caktohet, kur divorci bazohet në një kusht të pavlefshëm si p.sh. kur burri kushtëzon që të mos i japë gruas shpenzimet e saj edhe pse ajo është shtatzënë ose që gruaja s’ka të drejtë banese, si edhe kur caktohet vlera e kompensimit por pa e caktuar kohën e dhënies së tij. Në të tilla raste gruaja duhet që t’i japë burrit për kompensim vlerën e mehrit më të njohur.

Përsa i përket ndarjes në rastin e kompensimit të parregullt, mund të themi se ajo nuk ndikohet nga pavlefshmëria e kompensimit. Kemi thënë më përpara se disa prej dijetarëve e konsiderojnë “khul’a”-n prishje të aktit të martesës dhe disa të tjerë e konsiderojnë atë divorc. Dimë se akti i martesës është i vlefshëm edhe kur kompensimi është i parregullt sepse ndarjet nënkuptojnë aktmarrëveshjet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prishjen e aktit të martesës kur kompensimi nuk është i rregullt. Nëse “khul’a” është divorc, atëherë mund të themi se divorci është i vlefshëm edhe pa kompensim material dhe çka arrihet pa kompesim vlen të zbatohet edhe me kompesim të parregullt madje ky i fundit është më primar. Ai ka fuqinë e divorcit dhe pasojat e tij.

Në lidhje me dhënien e mehrit më të njohur mund të themi se kur kompensimi nuk është i rregullt, ai duhet të zëvendësohet nga një kompensim tjetër edhe pas ndarjes. Ky kompensim është vlerësuar me vlerën e mehrit dhe kënaqësive intime nuk mund të kthehet pas ndarjes atëherë është detyrë t’i kthehet zëvendsja e saj.  Kështu që mund të krahasohet me çka përmendëm çdo gjë që i përngjason, sepse çka nuk është barë në diçka nuk prish punë mos njohja e saj.  Kështu, p.sh. kur një burrë e ndan gruan e tij në këmbim të asaj që ajo ka në dorë pa e ditur se çfarë ka në dorë, atëherë ajo duhet që t’i japë burrit vlerën e mehrit. Nëse gruaja nuk ka asgjë në dorë, atëherë ndarja konsiderohet divorc me të drejtë kthimi. Disa dijetarë e konsiderojnë këtë “khul’a” dhe përcaktojnë se gruaja duhet t’i japë burrit vlerën e mehrit. Sipas librit “El-Ëesit” të Gazalit.

Juristët e shkollës malikije janë të mendimit se lejohet Khul’a me diçka të pasigurt si të caktohet për kompensim edhe embrioni në barkun e lopës apo të një kafshe tjetër. Nëse embrioni vdes para lindjes, atëherë burri nuk merr asgjë për kompensim dhe gruaja konsiderohet e ndarë nga burri në mënyrë përfundimtare. Sipas tyre, lejohen që të caktohen për kompensim edhe gjërat e pacilësuara, si p.sh. frutat që nuk janë pjekur akoma. Ata mendojnë se kompensim mund të jetë edhe anullimi i kujdestarisë së gruas për fëmijët dhe t’i kalojë e drejta atij.

Nëse caktohet për kompensim diçka e ndaluar, si p.sh. një sasi alkooli apo diçka e vjedhur që e di, atëherë gruaja ndahet prej burrit në mënyrë përfundimtare dhe burri nuk përfiton asgjë për kompensim. Alkooli duhet të derdhet dhe gjëja e vjedhur duhet t’i kthehet të zotit. Gruaja nuk është e obliguar që ta zëvendësojë kompensimin e ndaluar me diçka tjetër sepse burri e ka ditur se kjo është e ndaluar dhe e ka pranuar atë e di apo nuk e di gruaja.. Nëse vetëm gruaja ka pasur dijeni për kompensimin e ndaluar ndërsa burri jo, atëherë ai nuk është i obliguar që ta pranojë ndarjen.

 

 

Kur kompensimi për divorc ka vlerë më të madhe se mehri që burri i ka dhënë gruas për martesë ?

 

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se lejohet që burri të marrë si kompensim për divorc diçka që ka vlerë më të madhe se mehri që ai i ka dhënë gruas së tij për martesë. Ata e bazojnë mendimin e tyre në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[127]

Ky ajet është përgjithësues dhe përfshin kompensimin në vlerë më të madhe dhe në vlerë më të vogël.

Bejhakiu transmeton se Ebu Said Khaderiu ka thënë: “Motra ime ka qënë e martuar me një burrë nga Ensarët dhe kishin mosmarrveshje me njëri-tjetrin. Ata shkuan tek Profeti (s.a.u.s.) dhe ai i tha motrës time: “A ia kthen atij kopështin që ta ka dhënë për mehr?” Motra ime tha: “Do t’ia kthej atij kopështin dhe do t’i shtoj edhe diçka tjetër.” Pastaj ajo u nda nga burri i saj duke i kthyer atij kopështin dhe duke i shtuar edhe diçka tjetër.”[128]

Disa dijetarë janë të mendimit se burri nuk ka të drejtë që të marrë si kompensim për divorc diçka që ka vlerë më të madhe se mehri që ai i ka dhënë gruas së tij për martesë. Ata e bazojnë mendimin e tyre në transmetimin e saktë të Darkutniut, i cili tregon se Ebu Zubejri ka thënë: “Burri i kishte dhënë asaj një kopësht për mehr dhe Profeti (s.a.u.s.) i tha gruas: “A ia kthen atij kopështin që ta ka dhënë për mehr?” Gruaja tha: “Do t’ia kthej atij kopështin dhe do t’i shtoj edhe diçka tjetër.” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Nuk duhet që t’i japësh atij më shumë por vetëm kopështin.” Atëherë gruaja pranoi që t’i japë vetëm kopështin.”[129]

Shkaku i mendimeve të ndryshme të juristëve islamë në lidhje me këtë çështje është se dijetarët diskutojnë për përveçëimin e ajetit përgjithësues me hadithet e transmetuara në mënyrë jo masive. Juristët të cilët mendojnë se hadithi i mësipërm e përcakton kuptimin e përgjithshëm të ajetit kuranor, janë të mendimit se nuk lejohet rritja e vlerës së kompensimit mbi vlerën e mehrit. Ndërsa ata që mendojnë se hadithi i mësipërm nuk e përcakton kuptimin e përgjithshëm të ajetit kuranor, janë të mendimit se lejohet rritja e vlerës së kompensimit mbi vlerën e mehrit.

Ibn Rushdi ka thënë në librin e tij “Bidajetul Muxhtehid”: “Ai që e konsideron kompensimin e divorcit si të gjitha kompensimet e kontratave të tjera në marrëdhëniet mes njerëzve, e kupton se vlera e tij varet nga pëlqimi i palëve. Ndërsa ai që kufizohet me kuptimin e dukshëm të hadithit nuk e konsideron të lejuar që burri të marrë si kompensim për divorc diçka që ka vlerë më të madhe se mehri që ai i ka dhënë gruas së tij për martesë. Sipas tyre, ai burrë që e bën këtë konsiderohet se ka marrë një pasuri pa të drejtë.”

 

Divorci me kompensim që bëhet pa ndonjë arsye të pranueshme

 

Divorci në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (khul’a) është i lejuar vetëm kur bëhet për ndonjë arsye të pranueshme. Kështu p.sh. kur burri ka ndonjë të metë fizike, ka vese të këqija, nuk ia jep gruas të drejtat e saj dhe kur gruaja frikësohet se nuk do t’i zbatojë dispozitat e Allahut (xh.sh.) në lidhje me marrëdhëniet bashkëshortore, atëherë ajo ka të drejtë që të bëjë divorcin me kompensim.

Nëse nuk ka ndonjë arsye të pranueshme, atëherë kryerja e këtij divorci është e ndaluar. Ahmedi dhe Nesaiu transmetojnë se Ebu Hurejre (r.a.) ka thënë: “Gratë që ndajnë burrat e tyre me kompensim janë hipokrite.”[130]

Dijetarët janë të mendimit se kryerja e këtij divorci nga gruaja pa ndonjë arsye të pranueshme është vepër e papëlqyeshme.

 

Divorci me kompensim bëhet me pëlqimin e dy bashkëshortëve

 

Divorci me kompensim bëhet me pëlqimin e dy bashkëshortëve. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë gjykatësi duhet që ta detyrojë burrin për ta pranuar divorcin me kompensim. Kur Thabiti dhe gruaja e tij nuk kanë rënë dakord në lidhje me divorcin, ata kanë shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe ai e ka detyruar Thabitin që ta pranojë kopështin dhe ta divorcojë gruan e tij, siç e kemi përmendur më sipër ne hadith.

 

Ndarja nga ana e gruas është e mjaftueshme për divorcin me kompensim

 

Sheukaniu ka thënë: “Hadithet e transmetuara në lidhje me këtë çështje tregojnë në mënyrë të qartë se ndarja nga ana e gruas është e mjaftueshme për divorcin me kompensim.”

Ndërsa Ibn Mundhiri është i mendimit se divorci me kompensim lejohet vetëm kur ndarja bëhet nga të dy bashkëshortët. Ai e argumenton mendimin e tij me kuptimin e dukshëm të ajetit kuranor:

 

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[131]

Të këtij mendimi janë edhe Tausi, Shabiu dhe një grup nga pasardhësit e shokëve të Profetit (s.a.u.s.).

Një grup tjetër dijetarësh, ndër të cilët edhe Tabariu, e kanë kundërshtuar këtë mendim duke thënë se kur gruaja nuk i kryen detyrimet e saj bashkëshortore ndaj burrit të saj e bën edhe burrin që ta urrejë atë. Për më tepër, hadithi i lartpërmendur e tregon në mënyrë të qartë se ndarja nga ana e burrit nuk është kusht për këtë divorc. Profeti (s.a.u.s.) nuk e ka pyetur Thabitin nëse e urrente gruan e tij kur ajo i tregoi Profetit (s.a.u.s.) se e urrente Thabitin.

 

Ndalimi i dëmtimit të gruas për ta detyruar atë që bëjë divorcin me kompensim

 

Është e ndaluar që burri ta dëmtojë gruan e tij duke i mohuar asaj të drejtat derisa të detyrohet që të kryejë divorcin me kompensim. Nëse divorci bëhet në këtë mënyrë, ai nuk është i vlefshëm dhe gruaja ka të drejtë që ta marrë kompensimin që i ka dhënë burrit qoftë edhe me vendim gjykate.

Kjo është e ndaluar pasi në këtë mënyrë gruaja do të ndëshkohej dy herë, me ndarjen nga burri dhe me humbjen e pasurisë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا يَحِلُّ لَكُمْ أَنْ تَرِثُوا النِّسَاءَ كَرْهًا وَلا تَعْضُلُوهُنَّ لِتَذْهَبُوا بِبَعْضِ مَا آتَيْتُمُوهُنَّ إِلا أَنْ يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ مُبَيِّنَةٍ

“O ju që keni besuar, nuk u është lejuar që të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme, dhe as t’i shtrëngoni ato për t’u marrë diçka nga ajo që ju keni dhënë, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur.”[132]

Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër:

 

وَإِنْ أَرَدْتُمْ اسْتِبْدَالَ زَوْجٍ مَكَانَ زَوْجٍ وَآتَيْتُمْ إِحْدَاهُنَّ قِنطَارًا فَلا تَأْخُذُوا مِنْهُ شَيْئًا أَتَأْخُذُونَهُ بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُبِينًا

“Nëse dëshironi të merrni një grua në vend të një gruaje tjetër dhe njërës prej tyre i keni dhënë më përpara një shumë të madhe, mos merrni prej saj asgjë. A do ta merrni atë pa të drejtë dhe duke bërë mëkat të hapur?”[133]

Disa juristë islamë janë të mendimit se divorci me kompensim në këtë rast është i zbatueshëm pavarësisht se detyrimi i gruas për ta bërë këtë është i ndaluar.

Maliku është i mendimit se divorci me kompensim (khul’a) zbatohet sikur të ishte divorc nga ana e burrit. Nga ana tjetër, burri është i detyruar që t’ia kthejë gruas së tij kompensimin që i ka marrë për divorc.

 

Lejimi i divorcit me kompensim gjatë kohës që gruaja është e pastër dhe gjatë ciklit menstrual

 

Divorci me kompensim (khul’a) është i lejuar gjatë kohës që gruaja është e pastër dhe gjatë ciklit menstrual. Kryerja e këtij divorci nuk kufizohet me ndonjë kohë të veçantë sepse Allahu (xh.sh.) nuk e ka përcaktuar këtë por e ka lënë të lirë. Ai thotë në Kuran:

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّهِ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë nuk është mëkat për asnjërin prej tyre që ata të ndahen në këmbim të kompensimit të ofruar nga gruaja.”[134]

Profeti (s.a.u.s.) ka gjykuar duke i dhënë të drejtën gruas së Thabit Bin Kajsit që të ndahet nga burri i saj pa pyetur për gjëndjen e saj nëse ishte e pastër apo me menstruacione.

Shafiu ka thënë: “Lënia e kërkimit të detajeve për çështje personale edhe pse nga sqarimi mund të dalin versione të tjera, konsiderohet njëlloj me një fjalë përgjithësuese. Profeti (s.a.u.s.) nuk ka pyetur nëse gruaja ka qënë e pastër apo me menstruacione.”

Divorci është i ndaluar gjatë kohës që gruaja është me menstruacione me qëllim që periudha e pritjes të mos zgjatet. Në rastin e divorcit me kompensim, ndarja kërkohet dhe bëhet nga gruaja. Kjo do të thotë se ajo është dakord që periudha e pritjes të zgjatet.

 

Divorci kur kompensimi paguhet nga dikush tjetër në vend të gruas

 

Është e lejuar që një person të bëjë marrëveshje me burrin që ai ta divorcojë gruan në këmbim të një kompensimi material dhe personi të zotohet se do t’i japë burrit kompensimin e divorcit në vend të gruas. Ndarja në këtë rast konsiderohet e rregullt dhe personi është i obliguar që t`i japë burrit kompensimin e divorcit për të cilin ata kanë rënë dakord. Vlefshmëria e divorcit në këtë rast nuk varet nga aprovimi i gruas sepse, siç e kemi sqaruar, divorci është e drejtë e burrit dhe ai mund ta ushtrojë të drejtën e tij edhe pa aprovimin e gruas. Kompensimi i divorcit duhet të paguhet nga personi që është zotuar për këtë.

Ebu Theuri ka thënë: “Kjo gjë nuk është e lejuar sepse nuk ka kuptim. Personi jep kompensimin material të divorcit nga pasuria e tij dhe nuk përfiton asgjë në këmbim.”

Juristët e shkollës malikije kanë kushtëzuar që ky veprim duhet të shoqërohet nga një qëllim fisnik për të realizuar diçka të dobishme apo për të parandaluar diçka të keqe. Nëse personi që jep kompensimin ka për qëllim dëmtimin e gruas, atëherë ky lloj divorci nuk është i vlefshëm. Në librin “Mevahibul Xhelil” thuhet:

“Dhënia e kompensimit të divorcit nga një person duhet të kushtëzohet me qëllimin e tij për të realizuar një dobi për veten e tij apo për të parandaluar një të keqe. Ky person në asnjë mënyrë nuk duhet që të ketë për qëllim dëmtimin e gruas.”

Në ditët e sotme njerëzit tek ne e praktikojnë këtë mënyrë divorci duke pasur si qëllim të vetëm anullimin e shpenzimeve të obliguara që burri duhet t’ia japë gruas së tij të divorcuar gjatë periudhës së pritjes. Pa dyshim që kjo është e ndaluar dhe burri nuk lirohet nga obligimi i përballimit të shpenzimeve të gruas gjatë periudhës së pritjes.

 

Divorci me kompensim bën që gruaja ta ketë në dorë lirimin e vetes së saj nga lidhja martesore

 

Shumica e juristëve islamë, ndër të cilët edhe Imamët e katër shkollave juridike islame, janë të mendimit se kur burri e divorcon gruan e tij në këmbim të një kompensimi material, ajo e ka vetë në dorë lirinë e saj. Burri nuk ka të drejtë që ta rikthejë atë gjatë periudhës së pritjes sepse ajo ka shpenzuar nga pasuria e saj me qëllim përfundimin e lidhjes martesore. Sikur burri të kishte të drejtë që ta rikthente gruan, atëherë pagesa e saj për t’i dhënë fund lidhjes martesore nuk do të kishte asnjë vlerë. Burri nuk ka të drejtë që ta rikthejë gruan e tij gjatë periudhës së pritjes edhe nëse ai i kthen asaj vlerën e kompensimit të divorcit dhe ajo e pranon atë. Divorci me kompensim nuk është divorc me të drejtë kthimi por divorc përfundimtar.

Ndërsa Ibn Musejebi dhe Theuriu janë të mendimit se burri mund ta kthejë gruan e tij të divorcuar në këmbim të një kompensimi material më kusht që ai t’ia rikthejë asaj vlerën e kompensimit dhe ta dëshmojnë ribashkimin e tyre dy burra të drejtë.

 

 

Lejimi i rimartesës së burrit me gruan e divorcuar me kompensim kur ajo është dakord për këtë

 

Lejohet që burri të rimartohet gjatë periudhës së pritjes me gruan e divorcuar prej tij me kompensim nëse ajo është dakord për këtë martesë. Rikurorëzimi i tyre duhet të bëhet me një akt të ri martesor.

 

Divorci me kompensim i bërë nga gruaja në moshë të vogël por që është e aftë të gjykojë

 

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se kur gruaja në moshë të vogël por që është e aftë të gjykojë e ndan burrin e saj me kompensim, divorci i bërë prej saj konsiderohet divorc me të drejtë kthimi dhe ajo nuk është e obliguar që t’i japë burrit vlerën e kompensimit.

Ndarja konsiderohet e vlefshme pasi ajo shprehet nga burri dhe varet nga aprovimi i gruas. Burri posedon zotësi juridike për shprehjen e divorcit dhe gruaja gjithashtu ka zotësi juridike për pranimin e tij pasi ajo është e aftë të gjykojë.

Përsa i përket vlerës së kompensimit, gruaja nuk ka zotësi të juridike për të bërë veprime me pasurinë e saj pasi ajo është në moshë të vogël. Është kusht që një person të jetë në moshë madhore dhe i aftë nga ana mendore për të zotëruar liri veprimi me pasurinë e tij.

Përsa i përket konsiderimit të divorcit me të drejtë kthimi këtu në këtë pikë është se kur gruaja ishte e pa aftë ose e pamundur të japë kompensim atëherë u konsiderua  divorc i thjeshtë pa dhënë për të para dhe kështu konsiderohet me të drejtë kthimi

 

 

Divorci me kompensim i bërë nga gruaja në moshë të vogël që nuk është e aftë të gjykojë

 

Divorci më kompensim i bërë nga gruaja në moshë të vogël dhe që nuk është e aftë të gjykojë nuk konsiderohet divorc dhe nuk ka asnjë efekt ligjor. Shkaku i mosmarrjes në konsideratë të këtij divorci është se divorci i shprehur nga burri varet nga aprovimi i gruas. Gruaja në këtë rast nuk ka zotësi juridike për aprovimin e tij pasi ajo nuk është e aftë të gjykojë.

 

Divorci me kompensim i bërë nga gruaja që është nën kujdestarinë e dikujt

 

Juristët islamë janë të mendimit se kur gruaja është nën kujdestarinë e dikujt për shkak të aftësive të kufizuara mendore, atëherë divorci me kompensim i bërë prej saj konsiderohet divorc me të drejtë kthimi dhe ajo nuk është e obliguar që t’i japë burrit vlerën e kompensimit. Kjo i ngjason rastit të gruas në moshë të vogël por që është e aftë të gjykojë sepse në të dyja rastet gruaja nuk ka zotësi juridike për të bërë veprime me pasurinë e saj por ajo ka zotësi juridike për aprovimin e divorcit të shprehur nga burri.

 

 

Divorci me kompensim i bërë në mes të kujdestarit të gruas në moshë të vogël dhe burrit të saj

 

Nëse divorci me kompensim bëhet në mes të kujdestarit të gruas në moshë të vogël dhe burrit të saj, si p.sh. kur burri i i thotë babait të gruas: “Jam dakord që ta divorcoj vajzën tënde në këmbim të vlerës së mehrit ose për 100 Xhunejh(monedhë egjiptiane) prej pasurisë së saj” dhe babai i saj e pranon këtë duke mos dhënë garanci që ai vetë do t’ia japë vlerën e kompensimit, atëherë ndarja e bashkëshortëve është e rregullt, por as gruaja dhe as babai i saj nuk janë të obliguar që t’i japin burrit kompensimin e divorcit.

Këtu divorci konsiderohet i rregullt, pasi divorci i varrur në diçka është i konsiderueshëm kur gjendet ajo diçka, edhe në këtë rast u gjend dhe kjo është premtim i babait

Përsa i përket kompensimit të divorcit, gruaja nuk është e obliguar që t’i japë burrit vlerën e kompensimit sepse ajo nuk ka zotësi juridike për të vepruar me pasurinë e saj.

Ndërsa babai i gruas nuk është i obliguar që t’i japë burrit vlerën e kompensimit të divorcit pasi ai nuk ka dhënë garanci për ta bërë këtë. Nëse ai do të kishte dhënë garanci për këtë, atëherë ai do të konsiderohej i obliguar për t’i dhënë burrit të vajzës së tij vlerën e kompensimit të divorcit.

Disa juristë, janë të mendimit se divorci në këtë rast nuk është i vlefshëm pasi aprovimi i shprehur nga babai i gruas nënkupton dhënien e kompensimit dhe jo pranimin e divorcit.Ky mendim është i qartë dhe i dukshëm. Por është vepruar me mendimin e parë.

 

Divorci me kompensim i bërë nga gruaja e sëmurë

 

Të gjithë juristët islamë janë dakord se lejohet që gruaja e sëmurë në prag të vdekjes ta divorcojë burrin e saj me kompensim. Në këtë aspekt, ajo konsiderohet e njëjtë me gruan që nuk është e sëmurë. Megjthatë, juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me vlerën e kompensimit që ajo duhet t’i japë burrit pasi mund të ndodhë që gruaja e bën këtë me qëllim që të mbajë anën e burrit në kurriz të trashëgimtarëve të tjerë duke i dhënë atij më shumë pasuri se i takon në trashëgimi.

Imam Maliku është i mendimit se vlera e kompensimit duhet të jetë sa vlera e pjesës së trashëgimisë që i takon burrit nga gruaja. Nuk lejohet që burri të marrë kompensim më të madh se pjesa e trashëgimisë që i takon. Nëse kjo ndodh, atëherë burri është i obliguar që ta kthejë pjesën e tepërt. Në këtë rast divorci konsiderohet, dhe nuk trashëgon as njëri- tjetrin nëse burri është i shëndoshë.

Juristët e shkollës hanbelije janë të mendimit se lejohet që vlera e kompensimit të jetë sa vlera e pjesës së trashëgimisë që i takon burrit nga gruaja ose më pak. Nëse vlera e kompensimit është më e madhe se pjesa e trashëgimisë që i takon burrit, atëherë pjesa e tepërt konsiderohet e pavlefshme.

Shafiu mendon se lejohet që vlera e kompensimit të jetë sa vlera e mehrit të njohur për një grua të ngjashme me të. Lejohet që gruaja të japë më shumë se kjo vlerë me kusht që ajo të mos e kalojë një të tretën e pasurisë së saj. Vlera e shtuar mbi mehrin e njohur konsiderohet lëmoshë (sadaka).

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se vlera e kompensimit që jep gruaja e sëmurë nuk duhet të jetë më e madhe se një e treta e pasurisë së saj. Gruaja në këtë rast konsiderohet se jep lëmoshë dhe lëmosha në prag të vdekjes është njëlloj si testamenti. Testamenti për një person të huaj është i vlefshëm vetëm për një të tretën e pasurisë. Burri pas divorcit me kompensim konsiderohet i huaj për gruan dhe nuk ka të drejtë të marrë më shumë se një të tretën e pasurisë së saj.

Ata (hanefitë) thonë: “Nëse gruaja e sëmurë vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë burri ka të drejtë të marrë njërën nga këto tre gjëra që ka vlerën më të vogël: kompensimin e divorcit, një të tretën e pasurisë së saj apo pjesën e tij të trashëgimisë. Ky gjykim është dhënë për arsye se mund të ndodhë që burri dhe gruaja të bëjnë një marrëveshje të fshehtë në prag të vdekjes së saj duke caktuar një vlerë kompensimi më të madhe se pjesa e tij e trashëgimisë.” Për të shmangur padrejtësinë ndaj personave të tjerë që përfitojnë trashëgimi nga pasuria e gruas, është gjykuar se kur gruaja vdes gjatë periudhës së pritjes, burri përfiton njërën prej tre gjërave që përmendëm më sipër që ka vlerën më të vogël. Nëse gruaja shërohet nga sëmundja, atëherë burri ka të drejtë të marrë vlerën e kompensimit për të cilën ata kanë rënë dakord sado e madhe qoftë, pasi kështu evidentohet se gruaja nuk e ka bërë këtë përcaktim të vlerës së kompensimit në prag të vdekjes.

Nëse gruaja vdes pas periudhës së pritjes, atëherë burri ka të drejtë të marrë vlerën e kompensimit për të cilën ata kanë rënë dakord me kusht që ajo të mos jetë më e madhe se një e treta e pasurisë së saj. Arsyeja e këtij gjykimi është se ky veprim konsiderohet njëlloj si testamenti.

Në lidhje me këtë çështje, gjykatat veprojnë sipas ligjit të testamentit, të miratuar në vitin 1946. Ky ligj përcakton se “burri ka të drejtë të marrë nga këto dy gjëra atë që ka vlerë më të vogël: kompensimin e divorcit ose një të tretën e pasurisë, pa marrë parasysh nëse gruaja vdes gjatë periudhës së pritjes apo pas saj.”

Ky ligj e ka lejuar testamentin për personat që kanë të drejtë trashëgimie dhe për ata që nuk kanë, me kusht që testamenti të mos e kalojë vlerën e një të tretës së pasurisë. Askush nuk ka të drejtë që ta ndalojë zbatimin e testamentit kur ai nuk e kalon një të tretën e pasurisë.

Në bazë të këtij gjykimi, gruaja e sëmurë nuk ka mundësi që të mbajë anën e burrit të saj dhe t’i japë atij më shumë pasuri se i takon nga trashëgimia.

 

Divorci me kompensim (khul’a), a konsiderohet divorc apo prishje e aktit të martesës?

 

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se divorci me kompensim konsiderohet divorc përfundimtar dhe jo prishje e aktit të martesës duke u bazuar në hadithin e përmendur më përpara në të cilin Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Thabit Bin Kajsit: “Pranoje kopështin dhe divorcoje atë.”[135] Përveç kësaj, prishja e aktit të martesës bëhet për arsye që nuk varen nga dëshira e bashkëshortëve, ndërsa në këtë rast bashkëshortët janë ata që vendosin përfundimin e lidhjes martesore. Për këtë arsye, kjo ndarje konsiderohet divorc dhe jo prishje e aktit të martesës.

Ndërsa një grup dijetarësh, ndër të cilët mund të përmendim juristët islamë Ahmedin dhe Daudin si edhe shokët e Profetit (s.a.u.s.) Ibn Abbasin, Othmanin dhe Ibn Omerin, janë të mendimit se kjo ndarje (khul’a) konsiderohet prishje e aktit të martesës. Ata argumentojnë se Allahu i Madhëruar e ka përmendur divorcin në Kuran duke thënë:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[136]

Më pas Allahu (xh.sh.) ka folur për “lirimin me pagesë”[137] dhe pastaj ka thënë:

 

فَإِنْ طَلَّقَهَا فَلا تَحِلُّ لَهُ مِنْ بَعْدُ حَتَّى تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ

“Në qoftë se ai (burri) e divorcon atë (për herë të tretë), ajo nuk është e lejuar më për atë burrë pas atij divorci derisa të martohet me një burrë tjetër.”[138]

Sikur “lirimi me pagesë” të ishte divorc, atëherë ai do të ishte divorci i cili e bën gruan të palejuar për burrin përveç kur martohet me një burrë tjetër.Dhe ky është divorci i katërt.

Këta dijetarë lejojnë që prishja e aktit të martesës duhet të bëhet me pëlqimin e të dy palëve sikurse prishja e kontratave të tjera ashtu si në.

Ibn Kajimi ka thënë: “Kjo ndarje nuk është divorc sepse Allahu (xh.sh.) ka përcaktuar tre rregulla për divorcin që bëhet pas kryerjes së marrëdhënieve intime. Asnjëri prej këtyre rregullave nuk zbatohet në rastin e lirimit me kompensim. Këto tre rregulla janë:

  • Burri ka të drejtë që ta rikthejë gruan e tij pas divorcit.
  • Burri posedon tre divorce. Nëse ai e divorcon gruan e tij tre herë, atëherë ajo është e ndaluar për të derisa të martohet me një burrë tjetër me një martesë të rregullt.
  • Periudha e pritjes pas divorcit është tre cikle menstruale.

Burimet e legjislacionit islam vërtetojnë se ndarja me kompensim nuk ka të drejtë kthimi. Sipas Traditës Profetike dhe thënieve të shokëve të Profetit (s.a.u.s.), periudha e pritjes pas kësaj ndarjeje është vetëm një muaj[139]. Lejohet gjithashtu që kjo ndarje të bëhet pas dy divorceve dhe pas saj mund të ndodhë një divorc i tretë. Kjo tregon se kjo ndarje nuk është divorc por prishje e aktit të martesës.”

Mendimet e ndryshme të dijetarëve në lidhje me këtë çështje shfaqen edhe në aspektin e numërimit të divorceve që posedon burri. Ata që mendojnë se ndarja me kompensim është divorc, e numërojnë atë për divorc përfundimtar. Ndërsa ata që e konsiderojnë atë prishje të aktit të martesës, nuk e numërojnë për divorc. Sipas atyre që e konsiderojnë këtë ndarje prishje të aktit të martesës, nëse një burrë e ka divorcuar gruan e tij dy herë dhe më pas e ndan atë me kompensim, ai ka të drejtë që të rimartohet me gruan e tij pa qënë nevoja që ajo të martohet më përpara me një burrë tjetër. Sepse atij i llogariten dy ndarje dhe Khul’i është i pavlefshëm.

Ndërsa ata që e konsiderojnë këtë ndarje divorc mendojnë se burri, në rastin e mësipërm, nuk ka të drejtë që të rimartohet me gruan e tij nëse ajo nuk martohet më parë me një burrë tjetër. Sipas tyre, ndarja me kompensim ka plotësuar divorcin e tretë në këtë rast.

 

 

A merr statusin e gruas së divorcuar gruaja që ndahet me kompensim?

 

Gruaja e ndarë me kompensim nuk ka statusin e gruas së divorcuar pa marrë parasysh nëse ndarja me kompensim konsiderohet divorc apo prishje e aktit të martesës. Pas kësaj ndarjeje, gruaja konsiderohet e huaj për burrin e saj dhe si rrjedhim nuk ka statusin e gruas së divorcuar.

Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se gruaja e ndarë me kompensim merr statusin e gruas së divorcuar. Sipas tij, nuk lejohet martesa me motrën e gruas së ndarë me kompensim gjatë periudhës së pritjes.

 

 

Periudha e pritjes për gruan e ndarë me kompensim

 

Tradita Profetike ka përcaktuar se periudha e pritjes për gruan e ndarë me kompensim është vetëm përfundimi i një cikli menstrual. Është transmetuar se Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Thabit Bin Kajsit: “Merr atë që ti i ke dhënë asaj dhe lëre të ikë.” Pasi Thabiti e ka pranuar këtë, Profeti (s.a.u.s.) e ka urdhëruar gruan e tij që të shkojë tek familja e saj dhe të presë kalimin e një cikli menstrual.”[140] Transmetuar nga Nesaiu sipas një vargu transmetimi të besueshëm.

Këtë mendim e kanë mbështetur Othmani, Ibn Abbasi, Ahmedi (sipas një transmetimi), Is’hak Bin Rahevia dhe Sheikh El Islami, Ibn Tejmia, i cili ka thënë: “Ai që e analizon këtë mendim do të arrijë në konkluzionin se ai është një ndër rregullat e jurisprudencës islame. Periudha e pritjes pas divorcit është caktuar tre cikle menstruale në mënyrë që burri të ketë kohë më të gjatë në dispozicion për t’u menduar dhe për të vendosur rikthimin e gruas së tij. Nëse burri nuk ka të drejtë për të rikthyer gruan, atëherë periudha e pritjes mjafton të jetë kalimi i një cikli menstrual sa për të kuptuar se gruaja nuk është shtatzënë.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Ky ka qënë mendimi i Prijësit të besimtarëve, Othman Bin Affanit, Abdullah Bin Omerit, Rubejia Bint Muzdhit dhe xhaxhait të saj, i cili ka qënë ndër shokët e Profetit (s.a.u.s.) që kanë pasur një pozitë të lartë. Nuk është treguar asnjë rast që dikush nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) ta ketë kundërshtuar mendimin e këtyre të katërve. Lejth Bin Sa’di transmeton se Nafia Meuli Ibn Omeri e ka dëgjuar Rubejia Bint Meudh Bin Afraun duke i treguar Abdullah Bin Omerit se ajo është ndarë me kompensim nga burri i saj në kohën e Othman Bin Affanit. Xhaxhai i saj ka shkuar tek Othmani dhe i ka thënë: “Vajza e Muadhit është ndarë sot me kompensim prej burrit të saj. A lejohet që ajo të shkojë tek shtëpia e prindërve?” Othmani i është përgjigjur duke thënë: “Le të kthehet tek shtëpia e prindërve. Ajo dhe burri i saj pas kësaj ndarjeje nuk kanë të drejta trashëgimie tek njëri-tjetri. Vajza e vëllait tënd nuk ka periudhë pritjeje për të respektuar por nuk lejohet që ajo të martohet me një burrë tjetër pa kaluar një cikël menstrual sa për t’u siguruar se ajo nuk është shtatzënë.” Abdullah Bin Omeri ka thënë: “Othmani ka qënë më i miri dhe më i dituri nga ne”.

Ebu Xha’fer Nehasi ka thënë në librin e tij “El Nasikhu vel Mensukh” se ky ka qënë mendimi konsensual i të gjithë shokëve të Profetit (s.a.u.s.).

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se periudha e pritjes për gruan e ndarë nga burri me kompensim është përfundimi i tre cikleve menstruale nëse ajo ka menstruacione.

 

 

Ashpërsimi dhe largimi i burrit nga gruaja

 

Nëse gruaja i frikësohet ashpërsimit së burrit apo largimit dhe ftohjes së tij prej saj për shkak se ajo mund të jetë e sëmurë, në moshë të madhe apo e shëmtuar, atëherë nuk është mëkat për të dy bashkëshortët që të bëjnë një marrëveshje miqësimi dhe pajtimi në mes tyre, edhe sikur kjo marrëveshje të përcaktojë se gruaja duhet të heqë dorë nga disa të drejta bashkëshortore me qëllim kënaqjen e burrit.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَإِنْ امْرَأَةٌ خَافَتْ مِنْ بَعْلِهَا نُشُوزًا أَوْ إِعْرَاضًا فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا أَنْ يُصْلِحَا بَيْنَهُمَا صُلْحًا وَالصُّلْحُ خَيْرٌ

“Nëse ndonjë grua i frikësohet ashpërsisë ose largimit të burrit prej saj, atëherë nuk është mëkat për ata të dy që të bëjnë një marrëveshje pajtimi. S’ka dyshim se pajtimi është më i dobishmi.”[141]

Bukhariu transmeton se Aishja (r.a.) ka thënë në lidhje me këtë: “Ky ajet flet për atë grua që burri është larguar prej saj dhe ka dëshirë ta divorcojë për t’u martuar me një grua tjetër. Kjo grua mund të pajtohet me burrin duke i thënë: “Më mbaj dhe mos më divorco dhe mund të martohesh me një grua tjetër përveç meje. Ti je i liruar nga detyrimi për të përballuar shpenzimet e mia si edhe nga pjesa ime e netëve që më takojnë për të fjetur me ty.”[142]

Ebu Daudi transmeton nga Aishja (r.a.) se kur Seude Bint Zem’ah u plak në moshë, ai filloi të frikësohej se Profeti (s.a.u.s.) do ta divorconte. Për këtë arsye, ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, ditën që më takon mua ja dhuroj Aishes.” Profeti (s.a.u.s.) e ka pranuar këtë.”[143]

Pastaj Aishja ka thënë: “Në lidhje me këtë rast dhe më raste të ngjashme me të, Allahu i Madhëruar ka thënë:

 

وَإِنْ امْرَأَةٌ خَافَتْ مِنْ بَعْلِهَا نُشُوزًا أَوْ إِعْرَاضًا فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا أَنْ يُصْلِحَا بَيْنَهُمَا صُلْحًا وَالصُّلْحُ خَيْرٌ

“Nëse ndonjë grua i frikësohet ashpërsisë ose largimit të burrit prej saj, atëherë nuk është mëkat për ata të dy që të bëjnë një marrëveshje pajtimi. S’ka dyshim se pajtimi është më i dobishmi.”[144]

Në librin “El Mugni” thuhet: “Lejohet që gruaja ta pajtojë burrin duke hequr dorë nga ditët dhe netët që i takojnë për të kaluar me burrin apo nga shpenzimet që burri është i obliguar t’i japë. Nëse më vonë gruaja e anullon marrëveshjen e pajtimit me burrin, atëherë ajo ka të drejten e rikthimit të gjërave për të cilat ajo ka hequr dorë më parë.”

Ahmedi ka thënë se lejohet që një burrë, i cili është distancuar nga gruaja, t’i thotë asaj: “Nëse të pëlqen vazhdojmë kështu dhe nëse jo, atëherë le të divorcohemi.”, dhe gruaja i thotë: “Pranoj që të vazhdojmë kështu.”. Gruaja ka të drejtë ta anullojë këtë marrëveshje më vonë nëse dëshiron.

 

Përçarja e bashkëshortëve

 

Nëse lind përçarja, urrejtja dhe armiqësia në mes të bashkëshortëve deri në atë gradë sa të bëhet shkak për degradimin dhe kolapsin e jetës bashkëshortore, atëherë gjykatësi duhet të caktojë dy persona për të shqyrtuar çështjen e tyre. Këta dy persona duhet të gjejnë zgjidhjen më të dobishme në lidhje me vazhdimësinë ose prishjen e lidhjes martesore. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

وَإِنْ خِفْتُمْ شِقَاقَ بَيْنِهِمَا فَابْعَثُوا حَكَمًا مِنْ أَهْلِهِ وَحَكَمًا مِنْ أَهْلِهَا إِنْ يُرِيدَا إِصْلاحًا يُوَفِّقْ اللَّهُ بَيْنَهُمَا

“Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre, atëherë dërgoni një person të drejtë nga familja e tij dhe një person të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu do t’ua mundësojë afrimin mes tyre (burrit dhe gruas).”[145]

Kushtëzohet që dy personat e caktuar me qëllim zgjidhjen e konfliktit në mes të bashkëshortëve të jenë të shëndoshë nga ana mendore, në moshë madhore, të drejtë dhe muslimanë. Preferohet që këta dy persona të jenë nga familjet e bashkëshortëve por kjo nuk është kusht dhe lejohet që të caktohen edhe persona të tjerë. Fjala e Allahut (xh.sh.) në Kuran për të dërguar dy persona të drejtë nga familjet e tyre tregon se kjo është e preferuar pasi këta persona janë më të afërt dhe kanë më shumë njohuri rreth gjendjes dhe problemeve të bashkëshortëve.

Këta dy persona ndërmjetësues duhet të gjejnë zgjidhjen më të dobishme dhe të vendosin vazhdimin ose prishjen e jetës bashkëshortore pa pasur nevojën e aprovimit apo autorizimit nga ana e bashkëshortëve përsa i përket vendimit që ata do të marrin.

Të këtij mendimi janë Aliu, Ibn Abbasi, Ebu Selma Bin Abdurrahmani, Shabiu, Nekhiu, Said Bin Xhubejri, Maliku, Euzaiu, Is’haku dhe Ibn Mundhiri.

Këtë çështje e kemi sqaruar më në hollësi në këtë kapitull.[146]

 

Krahasimi i gruas me nënën (Dhihar)

 

Dhihari është kur burri i thotë gruas së tij: “Ti je për mua sikur shpina e nënës sime”.

Në librin “El Fet’h” thuhet: “Shpina është përmendur në dallim nga të gjitha pjesët e tjera të trupit sepse ajo shpeshherë identifikohet me vendin e hipjes. Gruaja është krahasuar me shpinën pasi ajo është vendi i hipjes së burrit.”

Krahasimi i gruas me nënën (Dhihari) ka qënë formë divorci në periudhën e injorancës paraislame. Feja islame e ka ndaluar këtë gjykim duke përcaktuar se gruaja bëhet e ndaluar për burrin që bën këtë krahasim derisa ta shlyejë atë.

Nëse dikush e krahason gruan me nënën e tij duke pasur për qëllim divorcin, kjo nuk konsiderohet divorc. Nëse dikush e divorcon gruan duke pasur për qëllim krahasimin e saj me nënën e tij, kjo konsiderohet divorc. Në këtë mënyrë, kur burri i thotë gruas së tij: “Ti je për mua sikur shpina e nënës sime” duke pasur për qëllim divorcin, kjo konsiderohet vetëm krahasim i gruas me nënën dhe jo divorc.

Ibn Kajjimi ka thënë: “Krahasimi i gruas me nënën (Dhihari) ka qënë formë divorci në periudhën e injorancës paraislame dhe feja islame e ka anulluar atë. Për këtë arsye nuk mund të rikthehet një gjykim i anulluar. Dhe Eus Bin Samiti ka pasur për qëllim divorcin kur e ka krahasuar gruan me nënën dhe pavarësisht nga kjo, në rastin e tij nuk është dhënë gjykimi i divorcit por gjykimi i krahasimit të gruas me nënën. Gjykimi në lidhje më krahasimin e gruas me nënën është i qartë dhe ai nuk mund të përdoret në mënyrë figurative për të shprehur divorcin. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë në legjislacionin islam.”

Juristët islamë janë të gjithë dakord se krahasimi i gruas me nënën është i ndaluar duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

الَّذِينَ يُظَاهِرُونَ مِنْكُمْ مِنْ نِسَائِهِمْ مَا هُنَّ أُمَّهَاتِهِمْ إِنْ أُمَّهَاتُهُمْ إِلا اللائِي وَلَدْنَهُمْ وَإِنَّهُمْ لَيَقُولُونَ مُنْكَرًا مِنْ الْقَوْلِ وَزُورًا وَإِنَّ اللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٌ

“Ata nga ju të cilët i krahasojnë gratë me nënat e tyre, le ta dinë se ato në të vërtetë nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur. Në fakt, ata thonë fjalë të shëmtuara dhe gënjeshtra por Allahu është Falës i mëkateve dhe Mëshirues .”[147]

Transmetohet se Eus Bin Samiti e ka krahasuar gruan e tij, Khule Bint Malik Bin Tha’lebe, me nënën e tij. Ajo është ajo që debatoi me profetin për të shoqin, dhe i’u ankua Allahut, dhe Allahu i’a dëgjoi ankesën që nga 7 qiej sipër dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, Eus Bin Samiti është martuar me mua kur kam qënë vajzë e re dhe e bukur. Ndërsa tani që jam plakur më ka krahasuar me nënën e tij.” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Nuk më është shpallur asgjë nga Kurani në lidhje me rastin tënd.” Atëherë gruaja iu drejtua Allahut (xh.sh.) duke thënë: “O Zot, vetëm ty të ankohem!”[148]

Transmetohet se ajo ka thënë: Unë kam fëmijë të vegjël, n.q.s. ai i merr do të humbin e nëse i marr unë do të kenë uri. Allahu (xh.sh.) e ka dëgjuar lutjen e saj dhe ka shpallur nga Kurani për çështjen e saj.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Falënderimi i takon Allahut i cili dëgjon çdo gjë. Ka ardhur Khaule Bint Malik Bin Tha’lebe tek Profeti (s.a.u.s.) për t’u ankuar por unë nuk munda t’i dëgjoj të gjitha fjalët e saj. Në lidhje me të Allahu (xh.sh.) ka zbritur ajetin kuranor:

 

قَدْ سَمِعَ اللَّهُ قَوْلَ الَّتِي تُجَادِلُكَ فِي زَوْجِهَا وَتَشْتَكِي إِلَى اللَّهِ وَاللَّهُ يَسْمَعُ تَحَاوُرَكُمَا إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ بَصِيرٌ

“Me të vërtetë Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty rreth burrit të saj dhe që u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjon bisedën tuaj; Ai dëgjon (çdo bisedë) dhe sheh (çdo punë).”[149]

Pas zbritjes së Kuranit në lidhje me këtë çështje, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Eusi duhet të lirojë një rob për të shlyer krahasimin e gruas me nënën e tij.” Gruaja e tij tha: “Ai nuk ka robër në pronësi.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) tha: “Ai duhet të agjërojë dy muaj pa ndërprerje.” Gruaja tha: “Ai është plak dhe nuk mund ta durojë agjërimin e dy muajve.” Pastaj Profeti (s.a.u.s.) tha: “Ai duhet të ushqejë 60 të varfër.” Gruaja tha: “Ai është i varfër dhe nuk ka mundësi të japë lëmoshë.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) tha: “Unë do ta ndihmoj atë me një degë me hurma.” Gruaja tha: “Edhe unë do ta ndihmoj atë me një degë tjetër me hurma.” Profeti (s.a.u.s.) i tha gruas: “Të lumtë! Me ato hurma do të ushqesh 60 të varfër në vend të tij dhe pastaj kthehu tek burri yt.”[150]

Transmetohet gjithashtu se Selemah Bin Sakhr Bejadiu e ka krahasuar gruan me nënën e tij gjatë periudhës së muajit të Ramazanit. Një natë para përfundimit të muajit të Ramazanit, ai kreu marrëdhënie intime me gruan e tij. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “A e ke bërë këtë, o Selemah?” Ai i tha: “Po, o i Dërguari i Allahut, unë e kam bërë këtë. Gjyko për mua ashtu siç të ka udhëzuar Allahu dhe unë do ta duroj gjykimin e Tij.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Jepi lirinë një robi.” Selema tha: “Betohem për Atë që të ka dërguar ty profet të së vërtetës se unë nuk kam në pronësinë time asnjë rob.” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Atëherë agjëro dy muaj pa ndërprerje.” Ai tha: “A nuk më ka ndodhur ajo që më ndodhi gjatë agjërimit të Ramazanit?!” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Ushqe 60 të varfër me një enë me hurma.” Selemah tha: “Betohem për Atë që të ka dërguar ty me të vërtetën se unë jam i varfër dhe nuk kam ushqim në shtëpi.” Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Shko tek fisi Benu Zurejk dhe kërkoju që të të japin lëmoshë një enë me hurma për të ushqyer 60 të varfër.” Selma shkoi tek fisi i tij dhe u tha: “Kam gjetur tek ju koprracinë dhe këshillën e keqe, ndërsa tek i Dërguari i Allahut kam gjetur bujarinë dhe këshillën e mirë. Ai ka urdhëruar që ju të jepni lëmoshë për mua.”[151]

 

A është “dhihari” krahasimi i gruas vetëm me nënën?

 

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se “dhihari” është krahasimi i gruas vetëm me nënën ashtu siç është përmendur në Kuran dhe në Traditën Profetike. Nëse një burrë i thotë gruas së tij: “Ti je për mua sikur shpina e nënës sime”, ai ka bërë “dhihar”. Nëse ai i thotë gruas së tij: “Ti je për mua sikur shpina e motrës sime”, ai nuk ka bërë “dhihar”.

Disa juristë, ndër të cilët edhe juristët e shkollës hanefije, Euzaiu, Theuriu, Shafiu (sipas një mendimi) dhe Zejd Bin Aliu, janë të mendimit se, duke përdorur analogjinë për nënën, ndalohet krahasimi i gruas me të gjitha gratë që burri e ka të ndaluar të martohet me to.[152] Sipas tyre, “dhihari” është krahasimi i gruas me një nga gratë që burri e ka të ndaluar përgjithmonë të martohet me to, pa marrë parasysh nëse ndalimi i tyre i përhershëm është për shkak të lidhjeve të gjakut, të martesës apo qumështit. Është e rëndësishme të theksohet se krahasimi i gruas me një nga gratë e ndaluara për burrin konsiderohet “dhihar” vetëm nëse burri e bën këtë për të treguar se gruaja e tij është e ndaluar për të. Nëse dikush e krahason gruan e tij me nënën apo motrën në shenjë nderimi dhe respekti, kjo nuk konsiderohet “dhihar”.

 

Krahasimi i cilit burrë merret në konsideratë?

 

Krahasimi i gruas me nënën merret në konsideratë vetëm kur bëhet nga burri që është i shëndoshë nga ana mendore, në moshë madhore dhe musliman. Është kusht gjithashtu që burri të jetë i martuar me gruan të cilën e krahason me nënën sipas një akti martesor të rregullt dhe të zbatueshëm.

 

Krahasimi i gruas me nënën përkohësisht

 

Ndodh që burri e krahason gruan me nënën e tij për një periudhë të caktuar, si p.sh. kur ai thotë: “Ti je për mua sikur shpina e nënës sime deri në darkë” Nëse burri kryen marrëdhënie intime me gruan e tij para darkës, atëherë ai konsiderohet njëlloj si ai që e bën këtë krahasim pa e kufizuar me një kohë të caktuar në divorc. Khatabiu ka thënë: “Juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me rastin kur burri e mban fjalën dhe nuk kryen marrëdhënie intime me gruan e tij deri në darkë. Maliku dhe Ibn Ebu Lejla janë të mendimit se kur burri i thotë gruas së tij: “Ti je për mua sikur shpina e nënës sime deri në darkë”, atëherë ai është i obliguar ta shlyejë këtë krahasim edhe nëse nuk kryen marrëdhënie intime me gruan e tij deri në darkë. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se burri nuk është i obliguar që të bëjë shlyerjen e krahasimit nëse nuk kryen marrëdhënie intime me gruan e tij deri në darkë.”

Shafiu ka dy mendime në lidhje me krahasimin e gruas me nënën përkohësisht. Sipas njërit mendim, ky krahasim nuk është “dhihar”.

 

Pasojat e krahasimit të gruas me nënën

 

Kur burri e krahason gruan me nënën e tij, atëherë ai është i obliguar që të përballojë këto dy pasoja:

1- Ndalimi i kryerjes së marrëdhënieve intime me gruan derisa burri të bëjë shlyerjen e këtij krahasimi. Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَالَّذِينَ يُظَاهِرُونَ مِنْ نِسَائِهِمْ ثُمَّ يَعُودُونَ لِمَا قَالُوا فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مِنْ قَبْلِ أَنْ يَتَمَاسَّا ذَلِكُمْ تُوعَظُونَ بِهِ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

“Ata që i krahasojnë gratë e tyre me nënat dhe pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që, para se të kryejnë marrëdhënie intime me gratë e tyre, të lirojnë një rob. Kjo është porosia e Allahut për ju; Me të vërtetë Allahu di çdo gjë që ju veproni”[153]

Sipas shumicës së juristëve islamë, ashtu siç ndalohet kryerja e marrëdhënieve intime, ndalohen edhe veprimet e tjera që u paraprijnë këtyre marrëdhënieve si puthjet, përqafimet, etj.

Disa dijetarë[154] janë të mendimit se ndalohet vetëm kryerja e marrëdhënieve intime duke u bazuar në kuptimin e dukshëm të ajetit të mësipërm kuranor.

2- Obligimi i shlyerjes së krahasimit sapo burri të tërhiqet nga ajo që ka thënë.

Dijetarët e kanë komentuar në mënyra të ndryshme shprehjen “tërhiqen nga ajo që kanë thënë”.

Kitade, Said Bin Xhubejri, Ebu Hanifja dhe shokët e tij kanë thënë se tërheqja nga fjala e thënë nënkupton “dëshirën e burrit për të kryer marrëdhënie intime me gruan pasi ai i ka ndaluar ato duke e krahasuar gruan me nënën e tij.” Kur burri ka dëshirë për ta bërë këtë, kjo nënkupton se ai është tërhequr nga vendimi i parë.

Shafiu ka thënë se tërheqja nga fjala e thënë nënkupton “mbajtjen e gruas në shtëpinë e burrit për një kohë më të gjatë se e lejon divorci. Përderisa burri e ka krahasuar gruan me nënën e tij, kjo do të thotë se ajo është e ndaluar për të edhe pse nuk quhet divorc. Dëshira për ta mbajtur gruan në shtëpi bie në kundërshtim me ndalimin e bërë prej tij dhe, si rrjedhim, konsiderohet tërheqje nga fjala e thënë.”

Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se tërheqja nga fjala e thënë nënkupton vendosmërinë për të kryer marrëdhënie intime me gruan.

Daudi, Sha’beh dhe Dhahirijtë janë të mendimit se tërheqja nga fjala e thënë nënkupton përseritjen e krahasimit. Sipas tyre, shlyerja e krahasimit të gruas me nënën bëhet vetëm kur krahasimi përseritet dhe jo pas krahasimit të parë.

 

Kryerja e marrëdhënieve intime para shlyerjes së krahasimit

 

Ndalohet që burri të kryejë marrëdhënie intime me gruan të cilën e ka krahasuar me nënën e tij para se të bëjë shlyerjen e këtij krahasimi. Nëse e bën këtë, shlyerja e krahasimit nuk anullohet dhe nuk dyfishohet, por mbetet siç ka qënë një shlyerje e vetme.

Salt Bin Dinari tregon se ka pyetur dhjetë juristë islamë rreth burrit që kryen marrëdhënie intime me gruan të cilën e ka krahasuar me nënën e tij para se të bëjë shlyerjen e këtij krahasimi. Të gjithë i kanë thënë se burri është i obliguar të bëjë vetëm një shlyerje.

 

Cila është shlyerja e krahasimit të gruas me nënën?

 

Shlyerja e krahasimit të gruas me nënën është lirimi i një robi. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë obligohet agjërimi i dy muajve pa ndërprerje. Nëse edhe kjo nuk është e mundur, atëherë obligohet të ushqyerit e gjashtëdhjetë të varfërve. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالَّذِينَ يُظَاهِرُونَ مِنْ نِسَائِهِمْ ثُمَّ يَعُودُونَ لِمَا قَالُوا فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مِنْ قَبْلِ أَنْ يَتَمَاسَّا ذَلِكُمْ تُوعَظُونَ بِهِ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ فَمَنْ لَمْ يَجِدْ فَصِيَامُ شَهْرَيْنِ مُتَتَابِعَيْنِ مِنْ قَبْلِ أَنْ يَتَمَاسَّا فَمَنْ لَمْ يَسْتَطِعْ فَإِطْعَامُ سِتِّينَ مِسْكِينًا ذَلِكَ لِتُؤْمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتِلْكَ حُدُودُ اللَّهِ وَلِلْكَافِرِينَ عَذَابٌ أَلِيمٌ

“Ata që i krahasojnë gratë e tyre me nënat dhe pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që, para se të kryejnë marrëdhënie intime me gratë e tyre, të lirojnë një rob. Kjo është porosia e Allahut për ju; Me të vërtetë Allahu di çdo gjë që ju veproni. Kush nuk ka mundësi të lirojë një rob, atëherë le të agjërojë dy muaj pa ndërprerje para se të kryejë marrëdhënie intime me gruan. Kush nuk ka mundësi, atëherë le t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo dispozitë është caktuar që ju t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këto janë dispozitat e Allahut, ndërsa për jobesimtarët kemi përgatitur një dënim të rëndë. ”[155]

Kushtet e rrepta të cilat janë caktuar për shlyerjen e këtij krahasimi kanë për qëllim mbrojtjen e jetës bashkëshortore dhe evitimin e padrejtësisë ndaj gruas. Kur burri e di se nuk është i aftë për të përballuar shlyerjen e këtij krahasimi , ai do ta respektojë më shumë lidhjen martesore dhe nuk do t’i bëjë padrejtësi gruas.

 

Prishja e aktit të martesës

 

Prishja e aktit të martesës nënkupton përfundimin e lidhjes bashkëshortore për shkak të pasaktësive që kanë ndodhur gjatë plotësimit të aktit të martesës ose për ndonjë arsye urgjente që paraqitet papritur pas plotësimit të aktit të martesës dhe që e bën vazhdimin e lidhjes martesore të pamundur.

Ndër pasaktësitë që ndodhin gjatë plotësimit të aktit të martesës dhe që çojnë në prishjen e tij mund të përmendim:

Kur plotësohet akti i martesës dhe më pas vërtetohet se gruaja është motra e burrit nga qumështi. Në këtë rast akti i martesës konsiderohet i parregullt.

Kur akti i martesës për burrin ose gruan që nuk e ka arritur moshën madhore plotësohet nga një kujdestar tjetër përveç babait ose gjyshit. Pasi burri ose gruaja të arrijë moshën madhore, ai ose ajo ka të drejtë që të zgjedhë vazhdimin ose ndërprerjen e aktit të martesës. Ky veprim quhet “zgjedhje e moshës madhore”. Nëse burri ose gruaja zgjedh ndërprerjen e aktit të martesës, atëherë kjo konsiderohet prishje e aktit të martesës.

Ndër arsyet urgjente që ndodhin papritur pas plotësimit të aktit të martesës dhe që çojnë në prishjen e tij mund të përmendim:

Kur njëri nga bashkëshortët e braktis fenë islame, akti i martesës prishet për shkak të kësaj arsyeje të papritur.

Kur burri e përqafon fenë islame ndërsa gruaja refuzon që ta braktisë besimin e saj politeist, akti i martesës prishet. Nëse gruaja është pasuese e librave hyjnorë (çifute ose kristiane), atëherë akti i martesës nuk prishet pasi muslimani e ka të lejuar që të martohet me një grua çifute ose kristiane.

Ndarja që rezulton nga prishja e aktit të martesës ndryshon nga ndarja që rezulton nga divorci. Siç e kemi sqaruar më përpara, divorci mund të jetë me të drejtë kthimi ose përfundimtar. Divorci me të drejtë kthimi nuk e anullon      lidhjen martesore në momentin e shprehjes së tij, ndërsa divorci përfundimtar e anullon lidhjen martesore në çast. Përsa i përket prishjes së aktit të martesës, ajo e anullon lidhjen martesore në çast, pa marrë parasysh nëse prishja e aktit të martesës ka ndodhur për shkak të pasaktësive që kanë ndodhur gjatë plotësimit të aktit të martesës apo për ndonjë arsye urgjente që ka ndodhur pas plotësimit të tij.

Nga ana tjetër, ndarja që rezulton nga divorci e pakëson numrin e divorceve që burri ka në posedim. Nëse një burrë e divorcon gruan me të drejtë kthimi dhe e kthen atë gjatë periudhës së pritjes ose rimartohet me të pas kësaj periudhe me një akt të ri martesor, atëherë kjo ndarje i numërohet burrit. Pas këtij divorci ai ka në posedim edhe dy divorce të tjera. Ndërsa ndarja që rezulton nga prishja e aktit të martesës nuk e pakëson numrin e divorceve që burri ka në posedim. Nëse akti i martesës prishet për shkak të “zgjedhjes së moshës madhore” dhe më pas bashkëshortët rimartohen me një akt të ri martesor, atëherë burri ka në posedim tre divorce.

Juristët e shkollës hanefije janë përpjekur që ta përkufizojnë secilën ndarje me qëllim që të bëhet dallimi në mes të ndarjes që rezulton nga divorci dhe ndarjes që rezulton nga prishja e aktit të martesës. Ata kanë thënë:

“Çdo ndarje që bëhet nga burri dhe që është e pamundur të bëhet nga gruaja quhet divorc. Çdo ndarje që bëhet nga gruaja jo për shkak të burrit, ose që bëhet nga burri dhe që është e mundur të bëhet edhe nga gruaja quhet prishje e aktit të martesës.”

 

Prishja e aktit të martesës nga gjykatësi

 

Në disa raste prishja e aktit të martesës bëhet për arsye të qarta të cilat nuk kanë nevojë për vendimin e gjykatës, si p.sh. kur vërtetohet se bashkëshortët janë vëlla dhe motër nga qumështi. Në këtë rast bashkëshortët e prishin vetë aktin e martesës pa qënë nevoja e ndërhyrjes së gjykatës.

Në disa raste prishja e martesës bëhet për arsye të cilat nuk janë të qarta për të gjithë njerëzit dhe, për pasojë, kanë nevojë për vendimin e gjykatësit. Në lidhje me këtë mund të përmendim rastin kur martesa prishet për shkak se burri ka pranuar Islamin ndërsa gruaja e tij vazhdon të jetë idhujtare. Gruaja, nga ana e saj, në këtë rast mund të mos dëshirojë që ta prishë aktin e martesës por kjo është obligim për burrin që ka pranuar Islamin.

 

Betimi me Mallkim (Li’an)

 

Përkufizimi i tij: Në gjuhën arabe “betimi i burrit se gruaja e tij ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore” (li’an) rrjedh nga fjala “le’ine” që do të thotë “mallkoj”. Arsyeja e këtij emërtimi është se, sipas dispozitave islame të përcaktuara në Kuran, pasi burri të betohet katër herë në Allahun (xh.sh.) se thotë të vërtetën, duhet të betohet për herë të pestë duke thënë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua nëse gënjej.”

Sipas një mendimi tjetër, fjala arabe “li’an” do të thotë “largim” dhe kjo nënkupton largimin e bashkëshortëve pasi ky betim i bën ata të ndaluar për njëri-tjetrin përgjithmonë. Ka mundësi që fjala “li’an” t’i përfshijë të dy kuptimet (mallkim dhe largim) për shkak se njëri nga bashkëshortët është i mallkuar sepse gënjen, ndërsa tjetri largohet prej të parit si pasojë e këtij betimi.

E vërteta rreth këtij betimi: Kur burri e akuzon gruan e tij se ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore dhe nuk ka dëshmitarë për këtë, ai duhet të betohet katër herë në Allahun se thotë të vërtetën. Herën e pestë duhet të betohet duke thënë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua nëse gënjej.” Nëse gruaja nuk e pranon akuzën, ajo duhet të betohet katër herë në Allahun se burri i saj gënjen. Herën e pestë duhet të betohet duke thënë: “Zemërimi i Allahut qoftë mbi mua nëse burri im ka thënë të vërtetën.”

Ligjërimi i këtij betimi: Ky lloj betimi është ligjëruar në Islam në rastin kur burri e akuzon gruan e tij se ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa ajo nuk e pranon këtë akuzë.[156]

Bukhariu transmeton se Ibn Abbasi ka thënë:

“Hilal Bin Umeje e ka akuzuar gruan e tij tek Profeti (s.a.u.s.) se ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore me Sherik Bin Sehman. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Nëse nuk ke prova do të dënoj për shpifje.” Hilali tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse njëri nga ne shikon një burrë sipër gruas së tij, a duhet të shkojë për të sjellur prova?” Profeti (s.a.u.s.) i tha përsëri: “Nëse nuk ke prova do të dënoj për shpifje.” Atëherë Hilali tha: “Betohem për Atë që të ka dërguar ty profet se unë po them të vërtetën. E lus Allahun që të shpallë diçka nga Kurani për të vërtetuar se unë nuk jam shpifës.” Atëherë zbriti Xhibrili (s.a.u.s.) dhe i shpalli Profetit (s.a.u.s.) këto ajete kuranore:

 

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ أَزْوَاجَهُمْ وَلَمْ يَكُنْ لَهُمْ شُهَدَاءُ إِلا أَنفُسُهُمْ فَشَهَادَةُ أَحَدِهِمْ أَرْبَعُ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ إِنَّهُ لَمِنْ الصَّادِقِينَ وَالْخَامِسَةُ أَنَّ لَعْنَةَ اللَّهِ عَلَيْهِ إِنْ كَانَ مِنْ الْكَاذِبِينَ وَيَدْرَأُ عَنْهَا الْعَذَابَ أَنْ تَشْهَدَ أَرْبَعَ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ إِنَّهُ لَمِنْ الْكَاذِبِينَ وَالْخَامِسَةَ أَنَّ غَضَبَ اللَّهِ عَلَيْهَا إِنْ كَانَ مِنْ الصَّادِقِينَ

 “Ata të cilët i akuzojnë gratë e tyre për imoralitet dhe nuk kanë dëshmitarë të tjerë përveç vetes, dëshmia e secilit prej tyre është që të betohet katër herë në Allahun se thotë të vërtetën. Hera e pestë e betimit është që mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ai gënjen. Largohet dënimi nga gruaja e akuzuar nëse ajo betohet katër herë në Allahun se burri gënjen. Hera e pestë e betimit është që hidhërimi i Allahut qoftë mbi të nëse burri ka thënë të vërtetën.”[157]

Atëherë Profeti (s.a.u.s.) thirri edhe gruan e Hilalit që të betoheshin të dy. Ndërsa Hilali betohej, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Allahu e di që njëri nga ju është gënjeshtar. A është penduar ndonjëri nga ju?”[158] Pastaj edhe gruaja filloi të betohej. Kur shkoi tek betimi i pestë, të pranishmit e ndaluan duke i thënë se ky është betimi përfundimtar. Gruaja filloi të hezitonte[159] dhe gati u tërhoq nga betimi por pastaj e plotësoi atë që të mos turpëronte fisin e saj. Profeti (s.a.u.s.) tha: “Shikoni kur gruaja të lindë[160]. Nëse fëmija do t’i ketë sytë e zinj, të ndenjurat e mëdha dhe këmbët e fryra, ai do të jetë fëmija i Sherik Bin Sahmaut.”

Kur gruaja lindi, fëmija ishte me të vërtetë i tillë. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) tha: “Sikur betimi që ajo ka bërë sipas Kuranit të mos e anullonte ndëshkimin e saj, do të dija si të veproja me të.”[161]

Autori i librit “Bidajetul Muxhtehid” ka thënë: “Përsa i përket kuptimit të këtij betimi, mund të thuhet se shtrati martesor është vendi ku kërkojmë të begatohemi me fëmijë. Nëse shtrati martesor nuk respektohet, atëherë duhet të egzistojë një mënyrë që burri të ketë mundësi ta mohojë atësinë e fëmijës. Kjo mënyrë është betimi “li’an”. Ky lloj betimi është gjykim i qëndrueshem sipas të gjtha burimeve të legjislacionit islam: Kuranit, Traditës Profetike, analogjisë dhe konsensusit të juristëve islamë.”

 

Në cilat raste bëhet ky lloj betimi?

 

Betimi “li’an” bëhet në dy raste:

  • Kur burri e akuzon gruan e tij se ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore dhe nuk ka katër dëshmitarë për të mbështetur akuzën e tij.
  • Kur burri mohon atësinë e fëmijës në barkun e gruas së tij.

Lejohet që të bëhet betimi në rastin e parë vetëm nëse burri e di se kush është personi me të cilin ai mendon se gruaja ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore. Kjo do të thotë se burri e ka parë gruan e tij duke bërë imoralitet ose ajo e ka pranuar këtë vepër para tij. Është më e pëlqyer që burri ta divorcojë gruan në këtë rast në vend të kryerjes së këtij betimi. Në qoftë se burri nuk e di se kush është personi me të cilin ai mendon se gruaja ka kryer marrëdhënie intime, atëherë ai nuk ka të drejtë që ta bëjë betimin.

Burri ka të drejtë që ta mohojë atësinë e fëmijës në barkun e gruas së tij kur ai pretendon se nuk ka kryer marrëdhënie intime me gruan që nga koha e nënshkrimit të aktit të martesës dhe kur pretendon se gruaja e ka lindur fëmijën pas më pak se gjashtë muajve ose pas më shumë se një viti nga koha e kryerjes së marrëdhënieve intime.

 

 

Gjykatësi para të cilit bëhet betimi

 

Betimi i burrit se gruaja e tij ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore (li’an) duhet medoemos të bëhet para një gjykatësi. Gjykatësi, nga ana e tij, duhet që ta këshillojë gruan duke i përkujtuar asaj rëndësinë e betimit në Allahun.

Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Habani[162] dhe Hakimi transmetojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ajo grua, e cila i sjell një fisi një fëmijë që nuk është prej tyre, është larg mëshirës së Allahut dhe nuk do të hyjë në Xhenet. Atë burrë që e mohon fëmijën e tij edhe pse e shikon para vetes, Allahu nuk do ta shikojë por do ta turpërojë para të gjithë atyre që kanë kaluar dhe që do të vijnë.”[163]

 

 

Burri dhe gruaja që betohen duhet të jenë të shëndoshë nga ana mendore dhe në moshë madhore

 

Përveç kushtit të pranisë së gjykatësit gjatë betimit, kushtëzohet gjithashtu që burri dhe gruaja të cilët betohen të jenë të shëndoshë nga ana mendore dhe në moshë madhore. Ky është mendimi i të gjithë juristëve islamë.

 

Betimi dhe dëshmia

 

Lind pyetja: Nëse burri sjell dëshmitarët për të vërtetuar imoralitetin e gruas, a duhet që ai ta bëjë betimin?

Ebu Hanifja dhe Daudi janë të mendimit se nuk është e nevojshme që burri të bëjë betimin sepse betimi është caktuar si kompensim për mungesën e dëshmitarëve. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ أَزْوَاجَهُمْ وَلَمْ يَكُنْ لَهُمْ شُهَدَاءُ إِلا أَنفُسُهُمْ فَشَهَادَةُ أَحَدِهِمْ أَرْبَعُ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ إِنَّهُ لَمِنْ الصَّادِقِينَ

“Ata të cilët i akuzojnë gratë e tyre për imoralitet dhe nuk kanë dëshmitarë të tjerë përveç vetes, dëshmia e secilit prej tyre është që të betohet katër herë në Allahun se thotë të vërtetën.”[164]

Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se burri duhet që ta bëjë betimin sepse dëshmitarët nuk ndikojnë në çështjet që kanë lidhje me intimitetin bashkëshortor.

 

A është “li’an” betim apo dëshmi?

 

Maliku, Shafiu dhe shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se “li’an” është betim. Ata argumentojnë se “li’an” nuk mund të quhet dëshmi pasi askush nuk dëshmon për veten e tij. Kjo mbështetet edhe nga fjala e Profetit (s.a.u.s.) në disa transmetime nga Ibn Abbasi (r.a.) se “Sikur të mos më ndalonte besimi, do të dija si të veproja me të.”

Ndërsa Ebu Hanifja dhe shokët e tij janë të mendimit se “li’an” është dëshmi. Ata e mbështesin mendimin e tyre në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

فَشَهَادَةُ أَحَدِهِمْ أَرْبَعُ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ إِنَّهُ لَمِنْ الصَّادِقِينَ

“Dëshmia e secilit prej tyre është që të betohet katër herë në Allahun se thotë të vërtetën.”[165]

Ata argumentojnë gjithashtu me hadithin e përmendur pak më parë se Ibn Abbasi (r.a.) e ka treguar hadithin rreth Hilal Bin Umejes duke thënë në të: “Erdhi Hilali dhe dëshmoi…, u ngrit gruaja e tij dhe dëshmoi.”

Juristët islamë të cilët gjykojnë se “li’an” është betim, janë të mendimit se ai është i vlefshëm kur bëhet nga dy bashkëshortë pa marrë parasysh nëse janë të lirë apo robër, të drejtë apo të shthurur.

Ndërsa juristët islamë të cilët gjykojnë se “li’an” është dëshmi janë të mendimit se ai është i vlefshëm vetëm nëse bashkëshortët i plotësojnë kushtet e dëshmisë, d.m.th. vetëm nëse ata janë të lirë dhe muslimanë. Sipas tyre, nuk lejohet që bashkëshortët që janë robër ta bëjnë këtë. Nuk lejohet gjithashtu praktikimi i “li’an” edhe në rastin kur vetëm njëri nga bashkëshortët i plotëson kushtet e dëshmisë ndërsa tjetri jo.

Ibn Kajimi ka thënë: “Në fakt “li’an” është i gërshetuar nga veçoritë e betimit dhe të dëshmisë. Ai është dëshmi e theksuar me anë të betimit dhe përseritjes. Në të njëjtën kohë ai është betim i theksuar me anë të dëshmisë dhe përseritjes sepse situata është e tillë që kërkon theksim dhe konfirmim të çështjes. Tek “li’an” mund të gjejmë dhjetë lloje theksimi dhe konfirmimi:

Përmendja e fjalës “dëshmi”.

Përmendja e betimit me njërin nga emrat e bukur të Zotit dhe pikërisht me emrin “Allah”, i cili është emri që i përfshin kuptimet e të gjithë emrave të tjerë të Tij.

Përdorimi i lidhëzave që e theksojnë dhe konfirmojnë më shumë kuptimin bashkë me përdorimin e epiteteve, gënjeshtër dhe i sinqertë jo .

Përsëritja e betimit katër herë.

Mallkimi që burri i bën vetes së tij nëse gënjen.

Njoftimi se betimi i pestë është betimi final i cili sjell dënimin e Allahut. S’ka dyshim se dënimi i kësaj bote është më i lehtë se dënimi i botës tjetër.

Betimi i burrit është bërë kusht për ekzekutimin e dënimit të gruas, ndërsa betimi i saj është bërë kusht për anullimin e dënimit të saj.

Betimi i bashkëshortëve do të rezultojë në dënimin e njërit prej tyre në këtë botë apo në botën tjetër.

Ndarja e bashkëshortëve që bëjnë këtë betim dhe shkatërrimi i familjes së tyre.

Ndarja e bashkëshortëve është e përhershme. Ata janë të ndaluar përgjithmonë për njëri-tjetrin dhe nuk kanë më mundësi ribashkimi.

Pra, mund të themi se “li’an” është betim i lidhur me dëshmi dhe dëshmi e lidhur me betim. Burri që akuzon gruan e tij është njëlloj si dëshmitari. Dëshmia e tij është e vlefshme dhe shkak për dënimin e gruas nëse ajo tërhiqet nga betimi. Betimi i burrit rezulton në këto dy gjëra:

Mosdënimin e tij për shpifje ndaj gruas.

Domosdoshmërinë e dënimit të gruas për imoralitet.

Nëse gruaja nuk e pranon betimin e burrit dhe betohet duke thënë të kundërten, atëherë betimi i burrit ka vetëm një efekt që ka lidhje me mosdënimin e tij për shpifje ndaj gruas. Në këtë rast, kjo konsiderohet dëshmi dhe betim vetëm për burrin dhe jo për gruan. Gruaja nuk mund të ndëshkohet thjesht nga betimi apo dëshmia e burrit. Por nëse gruaja tërhiqet nga betimi dhe e pranon akuzën e burrit, atëherë betimi dhe dëshmia e burrit, të konfirmuara edhe nga pranimi i gruas, janë argument i qartë për sinqeritetin e burrit. Si rrjedhim, betimi i burrit rezulton në mosdënimin e tij për shpifje dhe domosdoshmërinë e dënimit të gruas për imoralitet. Asnjë gjykim nuk mund të jetë më i drejtë sesa ky. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

وَمَنْ أَحْسَنُ مِنْ اللَّهِ حُكْمًا لِقَوْمٍ يُوقِنُونَ

“Kush mund të gjykojë më mirë se Allahu për ata që me bindje besojnë?!”[166]

Pas kësaj analize, është e qartë se “li’an” është betim që ka kuptimin e dëshmisë dhe dëshmi që ka kuptimin e betimit.”

 

 

Betimi i burrit të verbër dhe i memecit

 

Të gjithë juristët islamë janë dakord se lejohet betimi i një burri të verbër për të dëshmuar se gruaja e tij ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore. Por ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me betimin e memecit. Maliku dhe Shafiu kanë thënë se lejohet betimi i memecit për të dëshmuar se gruaja e tij ka kryer marrëdhënie jashtëmartesore nëse ky betim shprehet në mënyrë të kuptueshme. Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se nuk lejohet betimi i memecit pasi ai nuk konsiderohet i aftë nga ana ligjore për të bërë dëshmi.

 

 

Kush e fillon betimin?

 

Të gjithë juristët islamë kanë rënë dakord se, sipas Traditës Profetike, burri e fillon betimin para gruas. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me domosdoshmërinë që burri ta fillojë betimin i pari. Shafiu dhe disa juristë të tjerë kanë thënë se është kusht i domosdoshëm (Vaxhib) që burri ta fillojë betimin para gruas. Sipas tyre, nëse gruaja e bën betimin e para, betimi i saj nuk merret në konsideratë. Ata kanë argumentuar se betimi “li’an” është ligjëruar me qëllim anullimin e ndëshkimit të burrit për shpifje ndaj gruas. Nëse gruaja fillon betimin e para, atëherë kjo nënkupton anullimin e diçkaje që nuk ka ndodhur ende.

Ndërsa Ebu Hanifja dhe Maliku kanë gjykuar se betimi i filluar nga gruaja është i vlefshëm dhe merret në konsideratë. Ata kanë argumentuar se Allahu (xh.sh.) ka përdoruar në Kuran lidhëzen “dhe”, e cila nuk nënkupton domosdoshmërinë e ruajtjes së renditjes.

 

 

Refuzimi i betimit

 

Refuzimi i betimit mund të jetë nga ana e burrit ose nga ana e gruas. Nëse burri refuzon të betohet, atëherë kundër tij aplikohet ndëshkimi për shpifje ndaj gruas. Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ أَزْوَاجَهُمْ وَلَمْ يَكُنْ لَهُمْ شُهَدَاءُ إِلا أَنفُسُهُمْ فَشَهَادَةُ أَحَدِهِمْ أَرْبَعُ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ إِنَّهُ لَمِنْ الصَّادِقِينَ

“Ata të cilët i akuzojnë gratë e tyre për imoralitet dhe nuk kanë dëshmitarë të tjerë përveç vetes, dëshmia e secilit prej tyre është që të betohet katër herë në Allahun se thotë të vërtetën.”[167]

Nëse burri refuzon të betohet, atëherë ai konsiderohet si çdo person tjetër që shpif ndaj një gruaje. Siç e kemi përmendur edhe më përpara, Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Hilal Bin Umejes: “Nëse nuk ke prova do të dënoj për shpifje.” Të këtij mendimi janë Maliku, Shafiu dhe Ahmedi.

Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se kur burri refuzon të betohet, ai nuk ndëshkohet për shpifje por burgoset derisa të bëjë betimin ose të pranojë se ka shpifur. Nëse burri pranon se ka shpifur, atëherë kundër tij aplikohet ndëshkimi për shpifje.

Nëse gruaja refuzon të betohet, atëherë kundër saj aplikohet ndëshkimi i imoralitetit. Ky është mendimi i Malikut dhe Shafiut.

Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se kur gruaja refuzon të bëjë betimin, ajo nuk ndëshkohet për imoralitet por burgoset derisa të bëjë betimin ose të pranojë se ka bërë imoralitet. Nëse gruaja pranon se ka bërë imoralitet, atëherë kundër saj aplikohet ndëshkimi për imoralitet.

Ebu Hanifja e ka bazuar mendimin e tij në fjalën e Profetit (s.a.u.s.): “Nuk lejohet vrasja e një muslimani përveç në këto tre raste: kur një person i martuar bën imoralitet, kur një musliman braktis fenë e tij dhe kur një person vret dikë tjetër pa të drejtë.”[168]

Sipas Ebu Hanifes, vrasja e personit për shkak të refuzimit të tij për të bërë betimin është gjykim që bie në kundërshtim me rregullat e legjislacionit islam. Përderisa shumë juristë islamë nuk pranojnë që të aplikojnë një gjobë materiale për personin që refuzon të betohet, atëherë aplikimi i dënimit me vdekje në këtë rast është i papranueshëm.

Ibn Rushdi ka thënë: “Sipas mendimit unanim të dijetarëve islamë, në legjislacionin islam dënimi me vdekje aplikohet vetëm kur ka prova të sigurta për fajësinë e një personi ose kur vetë ai e pranon këtë. Si rrjedhim, nga ky rregull nuk duhet të përvesohet me anë të rasteve të përgjithshme.”

Ebu Hanifja ka mendimin më të saktë në lidhje me këtë çështje. Juristi islam, Ebul Meali, e ka pranuar në librin e tij superioritetin e mendimit të Ebu Hanifes në lidhje me këtë çështje, pavarësisht se ai vetë është ndjekës i shkollës juridike shafiije.

 

 

Ndarja në mes të bashkëshortëve që bëjnë betimin “li’an”

 

Nëse bashkëshortët bëjnë betimin “li’an”, atëherë që nga ai moment ata ndahen nga njëri-tjetri dhe nuk lejohet më bashkimi i tyre. Ibn Abbasi (r.a.) transmeton se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Pas ndarjes së bashkëshortëve që bëjnë betimin “li’an”, nuk lejohet më bashkimi i tyre kurrë.”[169]

Transmetohet gjithashtu se Aliu (r.a.) dhe Ibn Mes’udi (r.a.) kanë thënë: “Sipas Traditës Profetike, nuk lejohet bashkimi i bashkëshortëve të ndarë nga betimi “li’an”.” Transmetuar nga Darkutniu.

Arsyeja e këtij ndalimi të përhershëm është se në mes të bashkëshortëve ka ndodhur urrejtje dhe përçarje e madhe që e bën të domosdoshme ndarjen e tyre përgjithmonë. Jeta bashkëshortore duhet të jetë e bazuar në prehje, dashuri dhe mëshirë, por në këtë rast bashkëshortët i kanë humbur këto baza. Për këtë arsye, ata ndëshkohen me ndarje të përhershme.

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me rastin kur burri pranon se ka shpifur ndaj gruas së tij. Shumica e juristëve islamë gjykojnë se, duke u bazuar në hadithet e sipërpërmendura, nuk lejohet bashkimi i tyre asnjëherë. Ndërsa Ebu Hanifja ka thënë se kur burri pranon se ka shpifur, kundër tij aplikohet ndëshkimi i shpifjes. Më pas ai ka të drejtë që të rimartohet me gruan e tij sipas një akti të ri martesor. Ebu Hanifja ka argumentuar se nuk mund të zbatohet gjykimi i betimit “li’an” në rastin kur burri pranon se ka shpifur. Sipas tij, burri pranon atësinë e fëmijës nëse gruaja është shtatëzënë dhe bashkëshortët ribashkohen. Shkaku i ndarjes së përhershme pas betimit “li’an” është mosnjohja se cili nga bashkëshortët është i sinqertë dhe cili është gënjeshtar. Kur burri pranon se ka shpifur ndaj gruas së tij, shkaku i ndarjes së përhershme zhduket.

 

 

Kur hyn ndarja në fuqi?

 

Maliku është i mendimit se ndarja hyn në fuqi pasi secili nga bashkëshortët ta plotësojë betimin.

Shafiu është i mendimit se ndarja hyn në fuqi pas plotësimit të betimit nga burri.

Ndërsa Ebu Hanifja, Ahmedi dhe Theuriu janë të mendimit se ndarja hyn në fuqi pas vendimit të gjykatësit.

 

 

A është kjo ndarje divorc apo prishje e aktit të martesës?

 

Shumica e juristëve islamë janë të mendimit se ndarja për shkak të betimit “li’an” konsiderohet prishje e aktit të martesës. Ndërsa Ebu Hanifja e konsideron këtë ndarje divorc përfundimtar. Ai argumenton se shkaku i ndarjes është burri dhe dhe jo gruaja. Sipas tij, çdo ndarje që bëhet nga burri dhe nuk mund të bëhet nga gruaja është divorc dhe jo prishje e aktit të martesës.

Juristët që përkrahin mendimin e parë argumentojnë se kjo ndarje është prishje e aktit të martesës sepse ajo i bën bashkëshortët të ndaluar për njëri-tjetrin përgjithmonë. Nga ana tjetër, ata theksojnë se gruaja e ndarë për shkak të betimit “li’an” nuk ka të drejtë të përfitojë nga burri shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes dhe strehimit gjatë periudhës së pritjes. Sipas tyre, gruaja përfiton shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes dhe strehimit gjatë periudhës së pritjes si pasojë e divorcit dhe jo si pasojë e prishjes së aktit të martesës. Ky mendim bazohet edhe në transmetimin e Ibn Abbasit (r.a.), i cili tregon se pas betimit të Hilal Bin Umejes dhe gruas së tij, “Profeti (s.a.u.s.) ka gjykuar se gruaja nuk përfiton shpenzime ushqimore dhe banesë pasi kjo ndarje ndryshon nga divorci dhe nga rasti kur gruas i vdes burri.”[170] Transmetuar nga Ahmedi dhe Ebu Daudi.

 

Fëmija i jepet nënës

 

Kur burri e mohon atësinë e fëmijës duke u betuar për këtë, atëherë fëmijës i mohohet atësia dhe burri lirohet nga detyrimet materiale ndaj fëmijës. Nga ana tjetër, burri dhe fëmija i mohuar prej tij nuk kanë të drejta trashëgimie tek njëri-tjetri. Në këtë rast fëmija i jepet nënës dhe ata të dy (fëmija dhe nëna) kanë të drejta trashëgimie tek njëri-tjetri.

Amr Bin Shuajbi tregon nga babai dhe gjyshi i tij se Profeti (s.a.u.s.) ka gjykuar në lidhje me fëmijën e bashkëshortëve që kanë bërë betimin “li’an” dhe ka thënë se fëmija e trashëgon nënën dhe nëna e trashëgon fëmijën, ndërsa ai që do të shpifë për gruan në lidhje me fëmijën ndëshkohet me tetëdhjetë të rëna.[171] Transmetuar nga Ahmedi.

Ky hadith mbështet argumentet e tjera në lidhje me faktin se atësia e fëmijës përcaktohet nga shtrati bashkëshortor. Në këtë rast nuk mund të flitet për shtrat bashkëshortor pasi burri e mohon atë duke u betuar.

Kushdo që shpif për gruan dhe e akuzon atë për fëmijën e mohuar nga burri i saj ndëshkohet me tetëdhjetë të rëna. Fakti që burri e ka mohuar fëmijën nuk mjafton për akuzimin e gruas pasi ka mundësi që në betimin “li’an” burri të gënjejë dhe gruaja të thotë të vërtetën. Për këtë arsye, kundër atij që akuzon gruan e cila ka bërë betimin “li’an” aplikohet dënimi i shpifjes. I njëjti dënim aplikohet edhe kundër atij që akuzon fëmijën. Këto janë disa rregulla të veçanta që kanë lidhje me betimin “li’an”.

Vlen të përmendet se, në disa aspekte të përgjithshme, burri sillet si babai për fëmijën të cilin e ka mohuar duke bërë betimin “li’an”. Kjo konsiderohet masë paraprake në rast se burri ka gënjyer në dëshminë e tij. Kështu p.sh. burri nuk mund t’i japë zekat fëmijës, fëmija nuk mund të martohet me vajzat e burrit, burri dhe fëmija nuk mund të japin dëshmi ligjore për njëri-tjetrin, fëmija nuk konsiderohet me atësi të panjohur dhe nuk lejohet ta pretendojë atësinë e tij dikush tjetër ose nëse ai e vret fëmijën nuk mdëshkohet me vdekje.

Nëse burri më vonë pendohet dhe pranon se ka gënjyer, atëherë fëmija merr atësinë e burrit dhe anullohen të gjitha efektet e betimit “li’an” në lidhje me fëmijën.

 

PERIUDHA E PRITJES

 

Përkufizimi i saj: Ideh është fjalë që d.m.th llogaritje kur gruaja numëron ditët dhe kohën e menstruacioneve. Periudha e pritjes është periudha gjatë së cilës gruaja duhet të presë dhe të mos martohet pas vdekjes së burrit apo ndarjes së saj prej tij.[172]

Periudha e pritjes ka qënë e njohur edhe në periudhën e injorancës paraislame por njerëzit kishin filluar ta braktisnin këtë traditë. Pas ardhjes së fesë islame, periudha e pritjes është konfirmuar sërish për shkak të dobive të saj shoqërore.

Juristët islamë janë të gjithë dakord se respektimi i periudhës së pritjes nga ana e gruas është obligim fetar. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاثَةَ قُرُوءٍ

“Gratë e divorcuara janë të obliguara të presin tre cikle menstruale.”[173]

Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Fatime Bint Kajsit: “Respektoje periudhën e pritjes në shtëpinë e Ummu Mektumit.”[174]

 

 

Urtësia e obligimit të periudhës së pritjes

 

Arsyet kryesore të obligimit të periudhës së pritjes janë:

Njohja nëse gruaja është shtatzënë apo jo me qëllim evitimin e përzierjes së atësisë së fëmijës.

Dhënia e mundësisë që bashkëshortët të rikthehen tek njëri-tjetri dhe ta fillojnë jetën bashkëshortore së bashku sërish nëse ata mendojnë se kjo është më mirë për ta.

Theksimi i rëndësisë së madhe që ka martesa. Ajo është një kontratë serioze e cila    në prezencën e burrave që mund të prishet vetëm pas një pritjeje të gjatë. Sikur të mos obligohej periudha e pritjes, atëherë martesa do të ishte një lojë fëmijësh që mund të realizohet dhe prishet në çast.

Dobitë e martesës mund të realizohen vetëm kur bashkëshortët të jenë të vetëdijshëm për përhershmërinë e lidhjes martesore. Nëse ndodh diçka që e bën të domosdoshme prishjen e lidhjes martesore, atëherë duhet që të ruhet koncepti i “përhershmërisë së lidhjes martesore” duke obliguar periudhën e pritjes gjatë së cilës bashkëshortët mund të vendosin të ribashkohen.

 

Llojet e periudhës së pritjes

 

Llojet e periudhës së pritjes janë:

  • Periudha e pritjes për gruan që ka menstruacione. Kjo periudhë është tre cikle menstruale.
  • Periudha e pritjes për gruan që nuk ka menstruacione. Kjo periudhë është llogaritur tre muaj.
  • Periudha e pritjes për gruan së cilës i ka vdekur burri. Kjo periudhë është katër muaj dhe dhjetë ditë nëse gruaja nuk është shtatzënë.
  • Periudha e pritjes për gruan shtatzënë. Kjo periudhë zgjat derisa gruaja të lindë.

Këto janë llojet e përgjithshme të periudhës së pritjes të cilat do t’i shqyrtojmë në vijim në mënyrë të detajuar. Së pari, duhet që të bëjmë dallimin në mes të gruas me të cilën burri nuk ka kryer marrëdhënie intime dhe asaj me të cilën burri ka kryer marrëdhënie intime.

 

 

Periudha e pritjes për gruan me të cilën burri nuk ka kryer marrëdhënie intime

 

Në rast se burri e divorcon gruan e tij para kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë ajo nuk është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نَكَحْتُمْ الْمُؤْمِنَاتِ ثُمَّ طَلَّقْتُمُوهُنَّ مِنْ قَبْلِ أَنْ تَمَسُّوهُنَّ فَمَا لَكُمْ عَلَيْهِنَّ مِنْ عِدَّةٍ تَعْتَدُّونَهَا

“O ju që keni besuar, nëse keni lidhur kurorë me besimtaret e pastaj i divorconi ato para se të keni kryer marrëdhënie intime me to, atëherë ju nuk keni të drejtë të kërkoni prej tyre që ato të respektojnë periudhën e pritjes.”[175]

Në rast se burri vdes para kryerjes së marrëdhënieve intime me gruan e tij, atëherë ajo është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes njëlloj si gruaja e cila ka pasur kontakt intim me burrin e saj. Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنْكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَعَشْرًا

“Ata burra që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë e tyre) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë.”[176]

Gruaja me të cilën burri nuk ka kryer marrëdhënie intime është e obliguar të presë katër muaj dhe dhjetë ditë[177] pas vdekjes së burrit të saj. Kjo pritje simbolizon besnikëri dhe respekt ndaj burrit të vdekur si edhe ruajtje të së drejtës së tij.

 

 

Periudha e pritjes për gruan me të cilën burri ka kryer marrëdhënie intime[178]

 

Gruaja me të cilën burri ka kryer marrëdhënie intime mund të jetë nga gratë që kanë menstruacione ose nga gratë që nuk kanë menstruacione.

 

 

Periudha e pritjes për gruan që ka menstruacione

 

Nëse gruaja ka menstruacione, atëherë periudha e pritjes për të është tre cikle menstruale. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاثَةَ قُرُوءٍ

“Gratë e divorcuara janë të obliguara të presin tre cikle menstruale.”[179]

Ibn Kajjimi e ka mbështetur këtë mendim duke thënë: “Fjala “kur’un”القرء është përdorur në Kuran vetëm në kuptimin e ciklit menstrual. Nuk ka asnjë rast që kjo fjalë të jetë përdorur në kuptimin “pastrim”. Prandaj është e domosdoshme që kjo fjalë të komentohet sipas kuptimit të saj të njohur. Profeti (s.a.u.s.) gjithashtu e ka përdorur fjalën “kur’un” në kuptimin e ciklit menstrual. Ai i është drejtuar gruas që ka menstruacione duke i thënë: “Lëre të falurit gjatë ditëve të ciklit menstrual.”[180] Profeti (s.a.u.s.) ka qënë shprehës i asaj që i është shpallur nga Allahu (xh.sh.) dhe Kurani Famëlartë ka zbritur në gjuhën e tij. Përderisa fjala “kur’un” është përdorur në kuptimin e ciklit menstrual në Kuran , atëherë ky kuptim duhet të merret në konsideratë pavarësisht se kjo fjalë mund të ketë një kuptim tjetër gjuhësor në një vend tjetër përveç Kuranit. Pra, Allahu (xh.sh.) e ka përdorur fjalën “kur’un” në kuptimin e ciklit menstrual në të gjitha ajetet ku kjo fjalë është përdorur. Ky kuptim përforcohet edhe nga konteksti i ajetit kuranor:

 

وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاثَةَ قُرُوءٍ وَلا يَحِلُّ لَهُنَّ أَنْ يَكْتُمْنَ مَا خَلَقَ اللَّهُ فِي أَرْحَامِهِنَّ إِنْ كُنَّ يُؤْمِنَّ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ

“Gratë e divorcuara janë të obliguara të presin tre cikle menstruale. Atyre nuk u lejohet që të fshehin çfarë Allahu ka krijuar në mitrat e tyre nëse i besojnë Allahut dhe ditës së fundit.”[181]

Sipas të gjithë komentuesve të Kuranit, ky ajet flet rreth menstruacioneve dhe shtatzanisë.Sepse krijesa në mitër është menstruacioni(gjaku) i gjendur në të. Këtë mendim e thohnë Selefët(të parët) dhe Halefët (të mëvonshmit) e dijetarëve dhe askush nuk thotë se është pastërtia. Asnjëri prej komentuesve të Kuranit nuk ka thënë se ky ajet flet rreth pastrimit.

Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu:

 

وَاللائِي يَئِسْنَ مِنْ الْمَحِيضِ مِنْ نِسَائِكُمْ إِنْ ارْتَبْتُمْ فَعِدَّتُهُنَّ ثَلاثَةُ أَشْهُرٍ وَاللائِي لَمْ يَحِضْنَ وَأُوْلاتُ الأَحْمَالِ أَجَلُهُنَّ أَنْ يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ

“Gratë tuaja, të cilave u është ndërprerë cikli menstrual, duhet të respektojnë periudhën e pritjes tre muaj nëse nuk e keni ditur; po ashtu edhe ato gra që ende nuk kanë pasur menstruacione. Ndërsa periudha e pritjes për gratë shtatzëna është derisa të lindin.”[182]

Në këtë ajet kuranor Allahu (xh.sh.) e ka vlerësuar çdo muaj sa një cikël menstrual për ato gra të cilave u janë ndërprerë menstruacionet ose që nuk u kanë filluar ende.Ky ligj u lidh me menstruacionet dhe jo me pastërtinë.

Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër kuranor:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا طَلَّقْتُمْ النِّسَاءَ فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ

“O Profeti i Allahut, kur t’i divorconi gratë, divorconi ato në fillim të periudhës së pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre)[183]

Ky ajet kuranor tregon se divorci duhet të bëhet në kohën e pastërtisë së gruas.”[184]

Pra kuptimi është kur vjen periudha e pritjes jo mes saj.Dhe kur periudha e pritjes kur gratë divorcohen vjen pas divorcit atëherë pas kësaj periudhe është menstruacioni sepse e pastërta nuk pret pastërti sepse në të gjendet, por ajo pret menstruacionin pas gjendjes në të cilën ndodhet.

 

Periudha më e shkurtër e pritjes në bazë të tre cikleve menstruale

 

Juristët e shkollës shafiije janë të mendimit se periudha më e shkurtër e pritjes në bazë të tre cikleve menstruale mund të jetë 32 ditë dhe një orë. Sipas tyre, kjo periudhë pritjeje mund të ndodhë kur burri e divorcon gruan një orë para fillimit të ciklit menstrual. Kjo orë merret në konsideratë si një pastrim i plotë. Më pas gruas i fillon cikli menstrual që zgjat vetëm një ditë dhe pastaj fillon periudha e pastërtisë që zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Kjo periudhë konsiderohet pastrimi i dytë i gruas. Pas këtij pastrimi, gruas i fillon një cikël tjetër menstrual që zgjat vetëm një ditë dhe pas tij fillon periudha e pastërtisë për pesëmbëdhjetë ditë të tjera. Kjo periudhë konsiderohet pastrimi i tretë i gruas. Periudha e pritjes për këtë grua përfundon sapo t’i fillojë cikli menstrual i rradhës pra i treti.

Ebu Hanifja ka gjykuar se periudha më e shkurtër e pritjes mund të jetë 60 ditë, ndërsa dy shokët e tij, Muhamedi dhe Ebu Jusufi, janë të mendimit se periudha më e shkurtër e pritjes mund të jetë 39 ditë.

Sipas Ebu Hanifes, kjo periudhë fillon me një cikël menstrual 10 ditor që është edhe cikli më i gjatë. Ai vijon me një periudhë pastrimi që zgjat 15 ditë. Pastaj fillon cikli tjetër menstrual që zgjat 10 ditë si dhe periudha e pastrimit që zgjat 15 ditë. Më pas fillon cikli i tretë menstrual që zgjat 10 ditë dhe kështu plotësohen 60 ditët e periudhës së pritjes.

Ndërsa dy shokët e Ebu Hanifes, Muhamedi dhe Ebu Jusufi, kanë llogaritur se cikli më i shkurtër menstrual mund të zgjasë tre ditë. Kështu, ata kanë llogaritur tre cikle menstruale me nga tre ditë secili si edhe dy periudha pastrimi në mes tyre me nga 15 ditë secila. Të gjitha së bashku bëjnë 39 ditë.[185]

 

 

Periudha e pritjes për gruan që nuk ka menstruacione

 

Periudha e pritjes për gruan që nuk ka menstruacione është tre muaj. Ky gjykim vlen për gruan në moshë të vogël së cilës nuk i kanë filluar menstruacionet akoma si edhe për gruan në fazën e menopauzës. Me fjalë të tjera, ky gjykim vlen për gruan që nuk ka menstruacione, pa marrë parasysh nëse ato nuk i kanë filluar akoma apo i janë ndërprerë.

Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَاللائِي يَئِسْنَ مِنْ الْمَحِيضِ مِنْ نِسَائِكُمْ إِنْ ارْتَبْتُمْ فَعِدَّتُهُنَّ ثَلاثَةُ أَشْهُرٍ وَاللائِي لَمْ يَحِضْنَ وَأُوْلاتُ الأَحْمَالِ أَجَلُهُنَّ أَنْ يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ

“Gratë tuaja, të cilave u është ndërprerë cikli menstrual, duhet të respektojnë periudhën e pritjes tre muaj nëse nuk e keni ditur; po ashtu edhe ato gra që ende nuk kanë pasur menstruacione. Ndërsa periudha e pritjes për gratë shtatzëna është derisa të lindin.”[186]

Në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, Ibn Ebu Hashimi ka përmendur në Tefsirin e tij se Omer Bin Salimi ka transmetuar nga Ubej Bin Ka’bi se ai i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, disa njerëz në Medine kanë mendime të ndryshme rreth periudhës së pritjes për gratë të cilat nuk janë përmendur në Kuran: gratë e vogla në moshë, gratë e moshuara dhe gratë shtatzëna.” Me këtë rast ka zbritur ajeti i mësipërm kuranor.

Transmetohet gjithashtu se Xheriri i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, pas zbritjes së ajetit të përcaktimit të periudhës së pritjes në Suren Bekare disa njerëz në Medine kanë thënë se tani ka mbetur pa u përmendur në Kuran periudha e pritjes për gratë e vogla në moshë, gratë e moshuara dhe gratë shtatzëna.” Atëherë ka zbritur ajeti i mësipërm kuranor në Suren Talak. Seid bin Xhubejri përsa i përket ajetit të sures Talak ka thënë: se e përmendura prej ardhjes të  menstruacionit është plaka ose ajo që i janë ndërpreë menstruacionet dhe këto s’kanë të bëjnë më. Dhe në fjalën (nëse nuk e kanë ditur) në ajet, pra dyshohet. Nga Muxhahid transmetohet se ka thënë : nëse dyshni dhe se dimë periudhën në të cilën është prerë menstruacioni ose për gratë që nuk kanë menstruacione atëherë periudha e pritjes është 3 muaj. Pra fjalia e ajetit (nëse nuk e dinë) dmth: Nëse pyesin për gjykimin për to dhe nuk e dinë atë dhe dyshojnë atëherë Allahu jua qartësoi.

 

 

Gjykimi për gruan që ka menstruacione por që nuk i shfaqen pas divorcit

 

Nëse një grua e cila ka menstruacione divorcohet nga burri dhe pas divorcit menstruacionet nuk i shfaqen për ndonjë arsye të panjohur, atëherë ajo duhet të respektojë periudhën e pritjes për një vit. Ajo duhet të presë për nëntë muaj njëlloj si gruaja shtatzënë pasi zakonisht kjo është periudha e shtatzanisë. Nëse vërtetohet se ajo nuk është shtatzënë, atëherë ajo duhet të presë edhe tre muaj të tjerë njëlloj si gruaja e moshuar e cila nuk ka menstruacione. Këtë gjykim e ka dhënë Omeri (r.a.).

Shafiu ka thënë se në këtë mënyrë ka gjykuar Omeri (r.a.) në mes të Muhaxhirinëve dhe Ensarëve dhe askush nuk e ka kundërshtuar gjykimin e tij.

 

 

Mosha e menopauzës

 

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me moshën e menopauzës. Disa prej tyre kanë thënë se menopauza e gruas fillon në moshën 50 vjeçare, ndërsa disa të tjerë mendojnë se menopauza fillon në moshën 60 vjeçare. Në fakt, mosha e menopauzës ndryshon nga njëra grua tek tjetra dhe nuk mund të përcaktohet me saktësi se kur fillon.

Sheikhul Islami, Ibn Tejmia, ka thënë:

“Mosha e menopauzës tek gratë ndryshon nga njëra grua tek tjetra dhe nuk mund të përcaktohet në mënyrë përgjithësuese. Kuptimi i ajetit kuranor është se kur gruaja e merr vesh se nuk ka më menstruacione, atëherë ajo konsiderohet në fazën e menopauzës edhe nëse është vetëm dyzet vjeçe. Por ka disa gra të tjera të cilave u vazhdojnë menstruacionet edhe pas moshës 50 vjeçare.”[187]

 

Periudha e pritjes për gruan shtatzënë

 

Periudha e pritjes për gruan shtatzënë përfundon me lindjen e fëmijës, pa marrë parasysh nëse është e divorcuar apo i ka vdekur burri, se Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَأُوْلاتُ الأَحْمَالِ أَجَلُهُنَّ أَنْ يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ

“Ndërsa periudha e pritjes për gratë shtatzëna është derisa të lindin.”[188]

Thotë Ibn Kajjimi në librin e tij“Zadul Mead”:

Fjala e Allahut (xh.sh.) “derisa të lindin” nënkupton se kur gruaja është shtatzënë dhe në barkun e saj ka dy binjakë, atëherë periudha nuk mbaron derisa të lindin të dy.Ajeti tregon se edhe ajo që duhet të vërejë ka fëmijë apo jo duhet të presë derisa të lindë. Nga ana tjetër, ky ajet nënkupton se periudha e pritjes përfundon me daljen e foshnjës jashtë barkut të nënës pa marrë parasysh nëse fëmija lind i gjallë apo i vdekur, i shëndoshë fizikisht apo me të meta, i është fryrë shpirti apo jo.

Transmetohet nga Subejatu El-Eslemijetu gruaja e Sa’d Bin Khavale, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, vdiq në Haxhin e Lamtumirës duke e lënë gruan e tij, Subeje El Eslemijen, shtatzënë. Ajo e lindi fëmijën shumë shpejt pas vdekjes së burrit të saj. Pas pastrimit nga lehonia, ajo filloi të zbukurohej për fejesë. Një ditë, Ebu Senabil Bin Ba’keku, një burrë nga fisi Benu Abdud-dar, e takoi dhe i tha: “Pse je zbukuruar kështu? A mos ndoshta po kërkon që të martohesh? Betohem në Allahun se nuk do të martohesh para se të kalojnë katër muaj dhe dhjetë ditë.” Thotë Subejatu: Kur më tha kështu shkova në të ngrysur tek profeti(s.a.u.s) për të marrë gjykimin e tij në lidhje me rastin e saj. Profeti (s.a.u.s.) gjykoi se periudha e pritjes për të ka mbaruar me lindjen e fëmijës dhe ajo ishte e lirë të martohej nëse dëshironte.

Ibn Shihabi ka thënë: “Nuk shoh gjë të keqe që gruaja të martohet pas lindjes së fëmijës, qoftë edhe gjatë periudhës së lehonisë. Por, në këtë rast, ajo nuk mund të kryejë marrëdhënie intime me burrin e saj derisa të pastrohet.”[189]

Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.

Juristët islamë kanë thënë se ky ajet kuranor flet për gratë që nuk janë shtatzëna:

 

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنْكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَعَشْرًا

“Ata burra që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë e tyre) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë.”[190]

Ndërsa ajeti i mëposhtëm kuranor flet për gratë që janë shtatzëna:

 

وَأُوْلاتُ الأَحْمَالِ أَجَلُهُنَّ أَنْ يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ

“Ndërsa periudha e pritjes për gratë shtatzëna është derisa të lindin.”[191]

Si rrjedhim, nuk ka asnjë kundërshtim në mes të dy ajeteve kuranore.

 

 

Periudha e pritjes për gruan të cilës i ka vdekur burri

 

Gruaja të cilës i ka vdekur burri është e obliguar të presë katër muaj dhe dhjetë ditë nëse nuk është shtatzënë. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنْكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَعَشْرًا

“Ata burra që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë e tyre) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë.”[192]

Nëse burri e ka divorcuar gruan me të drejtë kthimi dhe pastaj ai vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë gruaja është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes për vdekjen e burrit (katër muaj dhe dhjetë ditë). Për shkak se është gruaja e tij akoma.

 

Periudha e pritjes për gruan që ka menstruacione

 

Periudha e pritjes për gruan që ka menstruacione zgjat në varësi të kohëzgjatjes së ciklit të saj menstrual. Ajo duhet të respektojë periudhën e pritjes që është përcaktuar tre cikle menstruale. Pas përfundimit të ciklit të tretë menstrual, përfundon edhe periudha e pritjes. Nëse gruaja është në fazën e menopauzës, atëherë periudha e pritjes për të është tre muaj.

 

 

Domosdoshmëria e respektimit të periudhës së pritjes edhe në një martesë të parregullt

 

Nëse një burrë kryen marrëdhënie intime gabimisht me një grua të huaj duke menduar se ajo është gruaja e tij, atëherë obligohet që kjo grua të respektojë periudhën e pritjes sepse marrëdhëniet intime gabimisht kanë të njëjtin status si marrëdhëniet intime në martesë përsa i përket caktimit të atësisë së fëmijës. Për këtë arsye, obligohet respektimi i periudhës së pritjes njëlloj si në rastin e martesës. Sipas të njëjtit gjykim, obligohet respektimi i periudhës së pritjes në një martesë të parregullt nëse kryhet marrëdhënia intime(sepse ata nuk janë burrë e grua).[193] Nëse një burrë kryen imoralitet me një grua, ajo nuk është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes. Sepse periudha e pritjes është obliguar që të ruhet atësia e fëmijës por, në rastin e imoralitetit, atësia e fëmijës nuk përcaktohet. Ky është mendimi i juristëve të shkollës hanefije dhe shafiije, si edhe mendimi i Theuriut. Këtë qëndrim kanë mbajtur edhe Ebu Bekri (r.a.) dhe Omeri (r.a.).

Ndërsa Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se obligohet respektimi i periudhës së pritjes nga gruaja që ka kryer imoralitet me një burrë. Përsa i përket kohëzgjatjes së periudhës së pritjes në këtë rast, Ahmedi ka pasur dy mendime. Sipas mendimit të parë, periudha e pritjes është tre cikle menstruale. Sipas mendimit të dytë, periudha e pritjes është një cikël menstrual me qëllim që të merret vesh nëse gruaja është shtatzënë apo jo.

 

 

 

Kalimi nga periudha e pritjes me cikle menstruale në periudhën e pritjes me muaj

 

Nëse një burrë e divorcon gruan e tij që ka menstruacione me të drejtë rikthimi dhe pastaj ai vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë gruaja është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes për shkak të vdekjes së burrit që zgjat katër muaj dhe dhjetë ditë. Siç e kemi sqaruar më përpara, divorci me të drejtë kthimi nuk e anullon lidhjen martesore të bashkëshortëve përderisa gruaja është në periudhën e pritjes. Gjatë kësaj periudhe gruaja konsiderohet bashkëshorte legjitime e burrit. Nëse njëri prej bashkëshortëve vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë bashkëshorti tjetër ka të drejtë ta trashëgojë atë.

Nëse burri e ndan gruan e tij që ka menstruacione me divorc përfundimtar dhe pastaj ai vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë gruaja është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes për shkak të divorcit që është tre cikle menstruale. Në këtë rast periudha e pritjes nuk kalon nga periudha e pritjes me cikle menstruale në periudhën e pritjes me muaj si në rastin e divorcit me të drejtë kthimi. Sepse divorci përfundimtar e anullon lidhjen martesore të bashkëshortëve që nga koha e shprehjes së tij. Kështu që burri dhe gruaja nuk konsiderohen bashkëshortë gjatë periudhës së pritjes. Kështu që vdekja ndodhi në periudhë shkurorëzimi, si rrjedhim, ata nuk kanë të drejtë të trashëgojnë njëri-tjetrin nëse njëri prej tyre vdes gjatë kësaj periudhe. Përjashtohet nga ky rast divorci i burrit të sëmurë në prag të vdekjes që e bën divorcin me qëllim mohimin e të drejtës së gruas në trashëgimi.

 

 

Periudha e pritjes si pasojë e divorcit të burrit të sëmurë në prag të vdekjes

 

Me divorcin e burrit të sëmurë në prag të vdekjes nënkuptojmë rastin kur ai e ndan gruan me qëllim mohimin e të drejtës së saj në trashëgimi dhe pastaj ai vdes gjatë periudhës së pritjes. Në lidhje me këtë Maliku ka thënë: “Gruaja ka të drejtë që ta trashëgojë burrin edhe pas përfundimit të periudhës së pritjes, pa marrë parasysh nëse është martuar me dikë tjetër apo jo. Në këtë rast veprohet në të kundërt të qëllimit që ka pasur burri.”

Ebu Hanifja dhe Muhamedi janë të mendimit se gjykimi në lidhje me këtë rast ndryshon në varësi të gjëndjes së gruas. Rregulli i përgjithshëm është se gruaja duhet të zgjedhë për të respektuar në mes të periudhës së pritjes si pasojë e divorcit dhe periudhës së pritjes si pasojë e vdekjes së burrit atë periudhë që është më e gjatë. Nëse periudha e pritjes si pasojë e divorcit është më e gjatë, atëherë gruaja është e obliguar që ta respektojë atë. Nëse periudha e pritjes si pasojë e vdekjes së burrit është më e gjatë, atëherë gruaja është e obliguar që ta respektojë këtë periudhë pritjeje. Me fjalë të tjera, nëse tre ciklet menstruale zgjasin më shumë se katër muaj e dhjetë ditë, atëherë gruaja respekton periudhën e pritjes si pasojë e divorcit (tre cikle menstruale). Nëse tre ciklet menstruale zgjasin më pak se katër muaj e dhjetë ditë, atëherë gruaja respekton periudhën e pritjes si pasojë e vdekjes së burrit (katër muaj e dhjetë ditë). Ky gjykim është dhënë me qëllim mbrojtjen e të drejtës së gruas në trashëgimi të cilën burri është përpjekur t’ia mohojë me anë të divorcit.

Ndërsa Ebu Jusufi është i mendimit se gruaja në këtë rast duhet që të respektojë periudhën e pritjes si pasojë e divorcit edhe nëse ajo është më e shkurtër se katër muaj dhe dhjetë ditë.

Ndërsa Shafiu është i mendimit se gruaja në këtë rast nuk ka të drejtë trashëgimie njëlloj si gruaja që është divorcuar përfundimisht nga burri i saj që nuk ka qënë i sëmurë. Ai argumenton se lidhja martesore përfundon me shprehjen e divorcit përfundimtar para vdekjes. Përfundimi i lidhjes martesore e anullon të drejtën e bashkëshortëve në trashëgimi. Sipas Shafiut, nuk mund të merret për bazë dyshimi se burri ka pasur për qëllim nga divorci mohimin e të drejtës së gruas në trashëgimi, sepse dispozitat e legjislacionit islam zbatohen në bazë të shkaqeve të dukshme dhe jo në bazë të qëllimeve të fshehta.

Nga ana tjetër, të gjithë juristët islamë janë dakord se kur burri e divorcon gruan në prag të vdekjes dhe ajo vdes gjatë periudhës së pritjes, atëherë burri nuk ka të drejtë që ta trashëgojë atë.

Gjithashtu bëhet kalimi nga periudha e pritjes sipas cikleve menstruale në periudhën e pritjes me muaj në rastin kur gruaja plotëson një apo dy cikle menstruale dhe më pas i ndërpriten menstruacionet. Gruaja është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes tre mujore pasi plotësimi i periudhës së pritjes me cikle menstruale është i pamundur për shkak të ndërprerjes së menstruacioneve. Dhe se ajo mund t’i fillojë plotësimin me muaj sepse muajt janë në vend të periudhës menstruale.

 

 

Kalimi nga periudha e pritjes me muaj në periudhën e pritjes me cikle menstruale

 

Nëse gruaja e fillon periudhën e pritjes me muaj për shkak të moshës së saj të vogël apo për shkak të menopauzës dhe më pas i fillojnë menstruacionet, atëherë ajo është e obliguar që të respektojë periudhën e pritjes në bazë të cikleve menstruale. Periudha e pritjes tre mujore është obliguar për ato gra që nuk kanë menstruacione. Përderisa gruas i vijnë menstruacionet, atëherë periudha tre mujore nuk mund ta zëvendësojë periudhën e tre cikleve menstruale e cila është baza e periudhës së pritjes.

Nëse gruaja e plotëson periudhën e pritjes tre mujore dhe më pas i fillojnë menstruacionet, atëherë ajo nuk është e obliguar që ta përserisë periudhën e pritjes në bazë të cikleve menstruale. Shkaku i këtij gjykimi është se gruas i kanë filluar menstruacionet pas përfundimit të periudhës së pritjes.

Nëse gruaja e fillon periudhën e pritjes me muaj ose me cikle menstruale dhe më pas rezulton se ajo është shtatzënë, atëherë ajo është e obliguar që ta respektojë periudhën e pritjes derisa ta lindë foshnjën.Shtatëzania është argument i qartë për

 

 

Përfundimi i periudhës së pritjes

 

Nëse gruaja është shtatzënë, atëherë periudha e saj e pritjes përfundon me lindjen e fëmijës. Nëse gruaja e respekton periudhën e pritjes me muaj, atëherë kjo periudhë fillon që nga momenti i ndarjes ose i vdekjes së bashkëshortit[194] dhe vazhdon deri në përfundimin e periudhës prej tre muajsh ose prej katër muajsh dhe dhjetë ditësh. Nëse gruaja e respekton periudhën e pritjes më cikle menstruale, atëherë kjo periudhë përfundon me plotësimin e tre cikleve menstruale. Në këtë rast kohëzgjatja e periudhës së pritjes njihet nga vetë  gruaja. [195]

 

Gruaja në periudhën e pritjes duhet të qëndrojë në shtëpinë bashkëshortore

 

Gruaja e divorcuar duhet që të qëndrojë në shtëpinë bashkëshortore deri në përfundim të periudhës së pritjes dhe nuk lejohet që të dalë prej saj. Nga ana tjetër, nuk lejohet që burri ta nxjerrë gruan nga shtëpia bashkëshortore gjatë periudhës së pritjes. Nëse divorci ndodh gjatë kohës që gruaja nuk është në shtëpinë bashkëshortore, ajo është e obliguar që të kthehet në këtë shtëpi sapo ta marrë vesh vendimin e divorcit.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

يَاأَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا طَلَّقْتُمْ النِّسَاءَ فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ وَأَحْصُوا الْعِدَّةَ وَاتَّقُوا اللَّهَ رَبَّكُمْ لا تُخْرِجُوهُنَّ مِنْ بُيُوتِهِنَّ وَلا يَخْرُجْنَ إِلا أَنْ يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ مُبَيِّنَةٍ وَتِلْكَ حُدُودُ اللَّهِ وَمَنْ يَتَعَدَّ حُدُودَ اللَّهِ فَقَدْ ظَلَمَ نَفْسَهُ

“O Profeti i Allahut, kur t’i divorconi gratë, divorconi ato në fillim të periudhës së pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre) dhe llogariteni mirë periudhën e pritjes. Kinie frikë Allahun, Zotin tuaj, dhe mos i nxirrni gratë prej shtëpive të tyre (gjatë periudhës së pritjes) dhe ato të mos dalin vetë, përveç nëse bëjnë ndonjë vepër imorale të vërtetuar. Këto janë dispozitat e Allahut dhe ai që i shkel dispozitat e Allahut ka dëmtuar vetveten.”[196]

Transmetohet se Furejatu Bint Malik Bin Senan, motra e Ebu Said Khudriut, ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) për ta pyetur nëse mund të kthehej tek shtëpia e prindërve të saj në Benu Khudra pasi burri i saj kishte shkuar për të ndjekur disa robër të tij që ishin arratisur dhe ata e kishin vrarë në Tareful Kudum.[197] Ajo i tha Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguari i Allahut, a lejohet që unë të kthehem tek prindërit e mi pasi burri nuk më ka lënë ndonjë banesë që ka qënë pronë e tij dhe as shpenzime?” Profeti (s.a.u.s.) pranoi që ajo të shkonte tek prindërit e saj dhe ajo u largua. Pas pak Profeti (s.a.u.s.) e thirri përseri dhe i tha: “Më trego dhe një herë çfarë ka ndodhur?” Gruaja ia tregoi Profetit (s.a.u.s.) dhe një herë historinë e burrit të saj. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Qëndro në atë shtëpi deri sa të përfundojë afati i caktuar.” Gruaja qëndroi në shtëpinë bashkëshortore për katër muaj dhe dhjetë ditë. Tregohet se Othmani (r.a.) e ka pyetur Furejah Bint Malik Bin Senanin për këtë ngjarje dhe më pas ka dhënë të njëjtin gjykim për raste të ngjashme me të.”[198]

Transmetuar nga Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu i cili e konsideron hadithin “të mirë dhe të saktë”.

Transmetohet gjithashtu se Omeri (r.a.) i ka ndaluar gratë të cilave u kishin vdekur burrat që të kryejnë haxhin gjatë periudhës së pritjes.

Rregulli i lartpërmendur se gruaja në periudhën e pritjes duhet të qëndrojë në shtëpinë bashkëshortore nuk aplikohet në rastin e gruas beduine. Kështu, gruaja beduine të cilës i ka vdekur burri mund të shpërngulet së bashku me familjen e saj nëse ata do të shtegtojnë.

Ndërsa Aishja, Ibn Abbasi, Xhabir Bin Zejdi, Hasani dhe Atau e kanë kundërshtuar këtë mendim. Kjo  transmetohet edhe nga Aliu dhe Xhabiri. Aishja ka gjykuar në lidhje me gruan të cilës i ka vdekur burri se ajo mund të dalë nga shtëpia bashkëshortore gjatë periudhës së pritjes. Tregohet gjithashtu se Aishja ka shkuar në Meke për të vizituar Ka’ben së bashku me motrën e saj, Ummu Kulthumin për umra, kur kjo e fundit ka qënë në periudhën e pritjes si pasojë e vrasjes së burrit të saj, Talha Bin Ubejdullahut.[199]

Abdurrezaku ka thënë: “Ibn Xhurajxhi na ka informuar duke thënë se Atau na ka treguar se Ibn Abbasi ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka përcaktuar se gruaja të cilës i ka vdekur burri duhet të presë katër muaj dhe dhjetë ditë. Ai nuk ka kushtëzuar që ajo të presë në shtëpinë bashkëshortore dhe, si rrjedhim, ajo mund të presë ku të dëshirojë.”

Ebu Daudi transmeton gjithashtu se Ibn Abbasi ka thënë: “Ky ajet e ka anulluar domosdoshmërinë e pritjes së gruas në shtëpinë e burrit dhe nuk e ka përmendur testamentin e saj. Gruaja mund të dalë nga shtëpia bashkëshortore, nëse dëshiron, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنْكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا وَصِيَّةً لأَزْوَاجِهِمْ مَتَاعًا إِلَى الْحَوْلِ غَيْرَ إِخْرَاجٍ فَإِنْ خَرَجْنَ فَلا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ فِي مَا فَعَلْنَ فِي أَنفُسِهِنَّ مِنْ مَعْرُوفٍ وَاللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

 “Ata që vdesin nga ju dhe lënë pas gra të veja, le të lënë testament për to furnizimin e tyre për një vit duke mos i nxjerrë prej shtëpisë. Nëse ato dalin nga shtëpia me dëshirën e tyre, nuk është mëkat për ju që ato të bëjnë diçka të lejuar me vetveten e tyre. Allahu është i Fuqishëm, i Ditur.”[200]

Atau ka thënë: “Më pas erdhi (zbriti) trashgimnia që anulloi shpenzimin e banesës kështu që gruaja mund ta respektojë periudhën e pritjes ku të dëshirojë.”[201]

 

 

Mendimet e ndryshme të juristëve islamë në lidhje me daljen e gruas gjatë periudhës së pritjes

 

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth daljes së gruas gjatë periudhës së pritjes.

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se gruaja e divorcuar me të drejtë rikthimi apo përfundimisht nuk ka të drejtë që të dalë nga shtëpia bashkëshortore gjatë periudhës së pritjes, ditën qoftë apo natën. Ndërsa gruaja të cilës i ka vdekur burri ka të drejtë që të dalë nga shtëpia bashkëshortore gjatë periudhës së pritjes ditën dhe në mbrëmje me kusht që kthehet për të fjetur në shtëpi.

Ata kanë argumentuar se gruaja e divorcuar përfiton shpenzimet materiale gjatë periudhës së pritjes nga pasuria e burrit të saj dhe për këtë arsye nuk lejohet që ajo të dalë nga shtëpia. Gruaja të cilës i ka vdekur burri, ndryshe nga gruaja e divorcuar, nuk i ka të siguruara shpenzimet materiale dhe për këtë arsye lejohet që të dalë nga shtëpia për t’u kujdesur për veten e saj. Ata (hanefitë) thonë: ajo duhet të presë në shtëpinë që i përket asaj kur ndodh divorci. Juristët e shkollës hanefije shtojnë se kur pjesa që i takon gruas nga shtëpia e burrit të vdekur nuk është e mjaftueshme për të jetuar ose kur trashëgimtarët e nxjerrin atë nga pjesa e tyre e shtëpisë, atëherë nuk është mëkat që ajo të shpërngulet diku tjetër. Sipas tyre, banimi në shtëpinë e burrit gjatë periudhës së pritjes është një lloj adhurimi që mund të mos kryhet kur ka ndonjë arsye. Gjithashtu, nëse gruaja nuk mund ta përballojë qeranë e shtëpisë ku banon, atëherë lejohet që ajo të shpërngulet në një shtëpi tjetër me qera më të vogël.

Nga thëniet e juristëve hanefijë kuptohet se qeraja e shtëpisë duhet që të përballohet nga gruaja. Nëse gruaja nuk ka mundësi për ta bërë këtë, atëherë anullohet obligimi i të qëndruarit të saj në shtëpinë e burrit gjatë periudhës së pritjes. Sipas tyre, gruaja duhet që të banojë në pjesën që i takon asaj me trashëgimi nga shtëpia e burrit nëse ajo është e mjaftueshme. Gruaja së cilës i ka vdekur burri nuk përfiton shpenzimet e banimit gjatë periudhës së pritjes, pa marrë parasysh nëse ajo është shtatzënë apo jo[202]. Ajo është e obliguar që të banojë gjatë periudhës së pritjes aty ku ka banuar me burrin e saj para vdekjes së tij. Nëse pjesa e shtëpisë që i takon gruas me trashëgimi nuk është e mjaftueshme për banim, atëherë ajo duhet që t’u japë trashëgimtarëve të tjerë qeranë e pjesës tjetër.

Juristët e shkollës hanbelijë janë të mendimit se gruaja në periudhën e pritjes ka të drejtë që të dalë nga shtëpia gjatë ditës, pa marrë parasysh nëse është e divorcuar apo i ka vdekur burri. Ibn Kudame ka thënë: “Gruaja në periudhën e pritjes mund të dalë nga shtëpia gjatë ditës për të kryer nevojat e saj, pa marrë parasysh nëse është e divorcuar apo i ka vdekur burri.”

Xhabiri transmeton se tezja e tij ka qënë në periudhën e pritjes nga divorci përfundimtar dhe ka dalë nga shtëpia për të prerë degët e hurmës. Një burrë e takoi atë dhe ai ia ndaloi daljen nga shtëpia gjatë periudhës së pritjes. Ajo e informoi Profetin (s.a.u.s.) për këtë dhe ai i tha: “Dil dhe kujdesu për hurmën tënde se ndoshta do të japësh lëmoshë prej saj ose do të bësh mirësi.”[203] Transmetuar nga Nesaiu dhe Ebu Daudi.

Muxhahidi ka transmetuar se kur disa burra ranë dëshmor në luftën e Uhudit, gratë e tyre shkuan tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, gjatë natës jemi të vetmuara. A lejohet që të flemë të gjitha tek banesa e njërës prej nesh dhe në mengjes, kur të zgjohemi, secila të shkojë tek banesa e saj?” Profeti (s.a.u.s.) u tha: “Mblidhuni dhe bisedoni tek njëra prej jush derisa të dëshironi të flini, pastaj le të kthehet secila prej jush në banesën e saj.”[204]

Gruaja në periudhën e pritjes nuk lejohet që të flejë diku tjetër përveç shtëpisë së burrit të saj. Nuk lejohet gjithashtu që ajo të dalë natën nga shtëpia përveç rasteve të domosdoshme sepse të dalurit natën nënkupton shthurje dhe imoralitet, në të kundërt të ditës. Sepse ditën kryen nevojat e jetesës, si risku, shit-blerja e gjërave që i duhen  që gruaja në periudhën e pritjes të dalë nga shtëpia gjatë ditës për të kryer nevojat e saj shtëpiake dhe për të blerë gjërat që i duhen.

 

 

Gruaja në periudhën e pritjes duhet të mbajë zi për burrin e saj

 

Gruaja është e obliguar që të mbajë zi për burrin e saj të vdekur. Të këtij mendimi janë të gjithë juristët islamë. Por ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me gruan e ndarë nga burri me divorc përfundimtar.

Juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se gruaja e ndarë nga burri me divorc përfundimtar është e obliguar që të mbajë zi për burrin e saj të vdekur gjatë periudhës së pritjes. Ndërsa juristët e shkollave të tjera juridike janë të mendimit se gruaja, në këtë rast, nuk është e obliguar që të mbajë zi.

Çështjen e mbajtjes zi për burrin e kemi trajtuar me hollësi në vëllimin e parë të këtij libri.

 

 

Shpenzimet e gruas gjatë periudhës së pritjes

 

Juristët islamë janë të gjithë të mendimit se gruaja në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit me të drejtë rikthimi përfiton shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes dhe banimit. Por ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me gruan në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit përfundimtar.

Ebu Hanifja është i mendimit se gruaja në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit përfundimtar përfiton shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes dhe banimit njëlloj si gruaja në periudhën e pritjes si pasojë e divorcit me të drejtë rikthimi. Ai argumenton se ajo është e obliguar që të qëndrojë në shtëpinë martesore gjatë periudhës së pritjes për të plotësuar detyrimet e saj ndaj burrit. Për këtë arsye, ajo përfiton të drejtën e shpenzimeve. Vlera e shpenzimeve konsiderohet borxh i vërtetë për burrin që nga koha e divorcit dhe nuk varet nga aprovimi i tij  dhe i saj që të mos e japi burri apo vendimi i gjykatësit. Ky borxh mund të anullohet vetëm nëse shlyhet ose falet.

Ahmedi është i mendimit se gruaja, në këtë rast, nuk përfiton shpenzimet as banesën. Ai e bazon mendimin e tij në fjalën që Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë Fatime Bint Kajsit kur burri i saj e ka ndarë përfundimisht. Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Ti nuk përfiton prej tij asnjë shpenzim.”[205]

Ndërsa Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se gruaja, në këtë rast, përfiton vetëm shpenzimet e banimit. Gjithsesi, nëse gruaja është shtatzënë, atëherë ajo përfiton edhe shpenzimet e ushqimit dhe veshmbathjes. Ata argumentojnë se Aishja (r.a.) dhe Ibn Musejebi (r.a.) e kanë mohuar hadithin e treguar nga Fatime Bint Kajsi.

Maliku ka thënë: “E kam dëgjuar Ibn Shihabin duke thënë se gruaja e divorcuar përfundimisht nuk duhet të dalë nga shtëpia bashkëshortore deri në përfundim të periudhës së pritjes. Ajo nuk përfiton shpenzime gjatë kësaj periudhe vetëm nëse është shtatzënë. Në këtë rast ajo përfiton shpenzimet derisa ta lindë fëmijën. I këtij mendimi jam edhe unë.”

 

 

KUJDESTARIA PËR FËMIJËT

 

 

Kuptimi i kujdestarisë: Fjala Hadaneh (Kujdestari) është marrë prej fjalës “El- Hidane” që do të thotë pjesë e trupit nga poshtë sqetullës e deri tek fundi i brinjës së fundit.Merr kuptimin edhe të anëve të diçkaje duke e kufizuar atë. Shprehet ruajti zogu vezën kur e kufizon nga anët me krahët e tij, po kështu nëna fëmijën kur e përfshin atë me krahët e saj dhe e mbledh në vetveten e saj.

Juristët islamë e kanë përkufizuar kujdestarinë duke thënë se ajo nënkupton “mbrojtjen e fëmijës së vogël në moshë[206] dhe të sëmurit nga ana mendore, i cili nuk është i aftë të gjykojë dhe nuk mund të mbështetet tek vetja e tij që ta ruajë interesin e atij që ka nën kujdestari, ta mbrojë atë nga dëmtimi, ta rrisë dhe ta edukojë atë në mënyrë adekuate si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana shpirtërore dhe mendore. Që të jetë fëmija i fuqishëm dhe i aftë për të përballuar vështirësitë e jetës dhe përgjegjësitë në të.

Kujdestaria ndaj djalit ose vajzës së vogël në moshë është obligim fetar dhe neglizhimi i saj ka pasoja fatale për fëmijën.

 

 

Kujdestaria është e drejtë e përbashkët

 

Kujdestaria është e drejtë e fëmijës sepse ai ka nevojë për një person që të kujdeset për të, ta mbrojë, t’i kryejë nevojat jetike që ka dhe ta edukojë. Nëna gjithashtu ka të drejtë më shumë se kushdo tjetër që të kujdeset për fëmijën e saj. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ti (duke ju drejtuar nënës së fëmijës) ke më shumë të drejtë për fëmijën.”[207]

Kujdestaria është e drejtë e fëmijës dhe nëna është e detyruar që të kujdeset për fëmijën e saj përderisa nuk ka një person tjetër që ta bëjë këtë që të mos humbasë e drejta e fëmijës për t’u rritur dhe edukuar. Nëna nuk është e obliguar që të kujdeset për fëmijën nëse gjyshja e merr përsipër kujdestarinë e tij dhe nëna heq dorë prej saj. E drejta e nënës për kujdestarinë e fëmijës anullohet vetëm nëse ajo vetë heq dorë prej saj. Kujdestaria është e drejtë e nënës dhe askush nuk mund t’ia mohojë atë.

Gjykatat civile kanë nxjerrë disa rregulla që e mbështesin idenë që thamë më sipër. Gjykata e Xherxhas, me datë 13.07.1933, ka nxjerrë këtë vendim: “Kujdestarja dhe personi që është nën kujdestarinë e saj (fëmija), secili prej tyre, ka të drejta në lidhje me kujdestarinë. Sidoqoftë, e drejta e personit që është nën kujdestari është më e madhe dhe më e rëndësishme se e drejta e kujdestares. Nëse kujdestarja heq dorë nga e drejta e saj, kjo nuk e anullon të drejtën e fëmijës për kujdestari.”

Ndërsa Gjykata e Ajatit, me datë 07.10.1927, ka nxjerrë këtë vendim: “Nëse dikush tjetër përveç nënës, në mënyrë vullnetare, ofron shpenzimet e saj për fëmijën, kjo nuk e anullon të drejtën e nënës për t’u kujdesur për fëmijën e saj. Nëna ka të drejtë që të kujdeset vetë për fëmijën nëse dëshiron dhe askush nuk mund t’ia mohojë asaj këtë të drejtë përderisa fëmija ushqehet me qumështin e gjirit të saj.

 

 

 

 

 

 

Ky gjykim ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës nga dëmtimi që mund të rezultojë nga ndarja e tij prej nënës. E cila është personi që ka më shumë dhembshuri për foshnjën e saj dhe është më e duruar se kushdo tjetër për t’i shërbyer atij.”[208]

 

 

Nëna ka më shumë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës se babai

 

Mënyra më e përsosur e rritjes dhe edukimit të fëmijës është që ai të rritet dhe edukohet në krahët e prindërve të tij. Kjo i siguron fëmijës të gjithë përkujdesjen e duhur me qëllim që ai të zhvillohet në mënyrë të rregullt si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana shpirtërore dhe mendore. Përveç kësaj, kjo përkujdesje e përbashkët e prindërve e bën fëmijën më të përgatitur për të përballuar vështirësitë e jetës.

Nëse ndodh që prindërit divorcohen, atëherë nëna ka më shumë të drejtë se babai për kujdestarinë e fëmijës me kusht që të mos ketë ndonjë pengesë ligjore për këtë,[209] ose fëmija ka veti që i lejojnë të zgjedhë vetë.

Shkaku i dhënies prioritet nënës në aspektin e kujdestarisë dhe gjithësisë është se ajo e di dhe është me e aftë ta edukojë atë. Për më tepër, gruaja është më e duruar se burri në lidhje me përkujdesjen ndaj fëmijës dhe ka më shumë kohë në dispozicion për t’i përkushtuar atij. Me fjalë të tjera, gruas i është dhënë më shumë prioritet në këtë aspekt me qëllim mbrojtjen e interesave të fëmijës.

Abdullah Bin Amri (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, barkun për të e kisha enë, prehërin fole, dhe gjirin shtëmë, pastaj e kam mbajtur në krahët e mi dhe e kam ushqyer me qumështin e gjirit tim. Babai i tij dëshiron që ta mohojë të drejtën time për kujdestarinë e tij.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Ti ke më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk do të martohesh përsëri.”[210] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Jahja Bin Saidi tregon se e ka dëgjuar Kasim Bin Muhamedin duke thënë: “Omer Ibn Khatabi ka qënë i martuar me një grua nga Ensarët dhe me të ka pasur një djalë që quhej Asim Bin Omeri. Një ditë, pasi Omeri e kishte divorcuar gruan, ai pa djalin e tij, Asimin, duke luajtur në oborrin e xhamisë. Ai e mori atë në krahët e tij dhe e vendosi mbi kafshën e tij të udhëtimit. Në atë moment erdhi gjyshja e Asimit nga nëna dhe ia mori Omerit fëmijën duke i thënë se ai nuk kishte të drejtë që ta merrte atë. Për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje, ata shkuan tek Ebu Bekri (r.a.). Secili prej tyre pretendonte se ai kishte të drejtë që ta merrte fëmijën. Por Ebu Bekri i tha Omerit: “Lëre gruan që të largohet së bashku me fëmijën.” Omeri nuk e kundërshtoi vendimin e Ebu Bekrit[211]. Transmetuar nga Maliku në librin e tij “El Meuta”. Ibn Abdulberri ka thënë se ky hadith është i njohur sepse vargu i tij i transmetimit në disa vende ka shkëputje dhe në disa vende të tjera është i pandërprerë. Dijetarët islamë e konsiderojnë këtë hadith të pranueshëm. Në disa transmetime të tjera tregohet se Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “Nëna është më e dhembshur, më e dashur, më e butë, më e mëshirshme dhe më e mirë. Ajo ka më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk martohet përseri.”[212]

Cilësitë e nënës që ka përmendur Ebu Bekri (r.a.) në fjalën e tij janë arsyeja pse gruas i është dhënë prioritet në lidhje me kujdestarinë e fëmijës.

 

 

 

Renditja e personave që kanë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës

 

Meqenëse nëna ka më shumë të drejtë se cilido tjetër për kujdestarinë e fëmijës, atëherë juristët islamë kanë gjykuar se të afërmet femra nga nëna kanë më shumë prioritet se të afërmet femra nga babai në lidhje me kujdestarinë. Duke u bazuar mbi këtë mendim, renditja e grave që kanë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës është kjo:

Së pari, nëna ka të drejtë më shumë se kushdo tjetër që të jetë kujdestarja e fëmijës së saj. Nëse ka ndonjë pengesë ligjore për këtë[213], atëherë kujdestaria i kalon nënës së nënës (gjyshes nga nëna). Nëse përseri ka ndonjë pengesë, atëherë kujdestaria i kalon nënës së babait (gjyshes nga babai). Pas tyre renditja vijon në këtë mënyrë: motra nga të dy prindërit, motra nga nëna, motra nga babai, vajza e motres nga të dy prindërit, vajza e motres nga nëna, tezja nga të dy prindërit, tezja nga nëna, tezja nga babai, vajza e motres nga babai, vajza e vëllait nga të dy prindërit, vajza e vëllait nga nëna, vajza e vëllait nga babai, halla nga të dy prindërit, halla nga nëna, halla nga babai, tezja e nënës, tezja e babait, halla e nënës dhe halla e babait duke i dhënë prioritet në të gjitha rastet atyre që janë nga të dy prindërit.

Nëse fëmija nuk ka asnjë grua të afërt nga kategoritë që përmendëm më sipër, ose ka por ato nuk i plotësojnë kushtet e kujdestarisë, atëherë kujdestaria u kalon burrave të afërm nga babai. Renditja e burrave në këtë rast është njëlloj si renditja e tyre në trashëgimi. Kështu, babai ka të drejtë më shumë se të tjerët për kujdestarinë e fëmijës së tij. Pas tij vijnë: babai i babait (gjyshi nga babai), vëllai nga të dy prindërit, vëllai nga babai, djali i vëllait nga të dy prindërit, djali i vëllait nga babai, xhaxhai nga të dy prindërit, xhaxhai nga babai, xhaxhai i babait nga të dy prindërit dhe xhaxhai i babait nga babai.

Nëse fëmija nuk ka asnjë burrë të afërm nga babai nga personat që përmendëm më sipër, ose ka por ata nuk i plotësojnë kushtet e kujdestarisë, atëherë kujdestaria u kalon burrave të afërm nga nëna. Kështu, babai i nënës (gjyshi nga nëna) është i pari në renditje. Pas tij vijnë: vëllai nga nëna, djali i vëllait nga nëna, xhaxhai nga nëna, daja nga të dy prindërit, daja nga babai dhe daja nga nëna. Nëse fëmija nuk ka asnjë të afërm edhe nga kjo kategori, atëherë gjykatësi cakton një grua që të kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës së vogël.

Renditja e personave që kanë të drejtë për kujdestarinë ndaj fëmijës është caktuar në këtë mënyrë sepse kujdestaria për fëmijën është një çështje e domosdoshme. Njerëzit që kanë më shumë prioritet për kujdestarinë janë të afërmit e fëmijës. Disa të afërm kanë më shumë prioritet se disa të afërm të tjerë duke u bazuar në shkallën e afërsisë. Nëse fëmija nuk ka të afërm të parë, atëherë kujdestaria u kalon të afërmëve të tjerë më të largët sipas renditjes. Nëse fëmija nuk ka asnjë të afërm, atëherë gjykatësi është i obliguar që të ngarkojë një person të përshtatshëm për t’u kujdesur për fëmijën.

 

 

Kushtet e kujdestarisë

 

Kushtëzohet që gruaja e cila kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës të ketë mundësi dhe aftësi për ta kryer këtë detyrë. Në mënyrë që gruaja të ketë mundësi dhe aftësi për t’u kujdesur për fëmijën, ajo duhet të plotësojë disa kushte të caktuara. Nëse gruaja nuk e plotëson njërin nga këto kushte, atëherë e drejta e saj për kujdestari anullohet. Këto kushte janë:

 

1- Aftësia mendore

Personi që merr përsipër kujdestarinë e fëmijës duhet që të jetë i aftë nga ana mendore për ta kryer këtë detyrë. Në këtë mënyrë, i çmenduri dhe budallai nuk mund të jenë kujdestarë. Një person i cili nuk është i aftë të kujdeset për veten e tij nuk mund të autorizohet për t’u kujdesur për një person tjetër. Një proverb thotë: “Personi që nuk e posedon diçka vetë, nuk mund t’ua japë atë të tjerëve.”

 

2- Mosha madhore

Ai që merr përsipër kujdestarinë e fëmijës duhet që të ketë arritur moshën madhore. Personi që është në moshë të vogël, edhe nëse ka aftësi për të gjykuar, ka nevojë për dikë që të kujdeset për të. Si rrjedhim, ai nuk mund të jetë kujdestar për një person tjetër.

 

3- Aftësia për të edukuar të tjerët

Është kusht që kujdestari të jetë i aftë për të mësuar dhe edukuar të tjerët. Në këtë mënyrë, nuk mund të jetë kujdestare e fëmijës gruaja e verbër, gruaja me shikim të dobët, gruaja e sëmurë me një sëmundje ngjitëse dhe gruaja e sëmurë me një sëmundje të rëndë që nuk është e aftë të kujdeset për dikë tjetër. Gjithashtu nuk mund të jetë kujdestare gruaja në moshë të thyer e cila ka nevojë që dikush tjetër të kujdeset për të dhe as ajo grua që i neglizhon punët e shtëpisë së saj dhe që del shpesh nga shtëpia. Neglizhenca e saj mund të rezultojë në dëmtimin e fëmijës apo në humbjen e tij. Nuk mund të jetë kujdestare as ajo grua që banon me një person të sëmurë nga një sëmundje ngjitëse ose me një person që e urren fëmijën, qoftë edhe i afërm i tij. Gruaja, në këtë rast, nuk mund t’i japë fëmijës përkujdesjen e duhur dhe nuk mund t’i garantojë atij një ambient të përshtatshëm për t’u rritur.

 

4- Besnikëria dhe morali

Kujdestaria nuk mund t’i besohet një gruaje të shthurur pasi nuk jemi të sigurtë se ajo do të kujdeset për fëmijën në mënyrë të përshtatshme. Përveç kësaj, ka rrezik që fëmija të influencohet nga sjellja dhe morali i gruas së shthurur. Ibn Kajimi e ka analizuar këtë kusht duke thënë:

“Gjykimi më i saktë është se drejtësia nuk është kusht për kujdestarinë e fëmijës pavarësisht se ndjekësit e Shafiut dhe Ahmedit e kanë kushtëzuar atë. Kushtëzimi i drejtësisë në kujdestarinë e fëmijës është largim prej bazave të jurisprudencës islame dhe mund të rezultojë në humbjen e fëmijëve. Kjo gjë do të shkaktonte shumë vuajtje dhe vështirësi për njerëzit. Që nga koha e ardhjes së Islamit dhe deri në ditën e gjykimit, të shthururit dhe imoralët janë kujdesur, kujdesen dhe do të kujdesen për fëmijët e tyre pasi ata janë shumica dhe askush nuk mund t’i pengojë që ta bëjnë këtë. Kur ka ndodhur që Islami t’ia ketë mohuar të drejtën e kujdestarisë njërit apo të dy prindërve për shkak të shthurjes së tyre?! Kjo është diçka e vështirë për t’u realizuar në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohërat, në ndryshim nga kushti i drejtësisë për kujdestarët në martesë, i cili është gjithmonë i mundur për t’u zbatuar në të gjitha vendet dhe kohërat. Megjithatë, në shumicën e rasteve kujdestarët në martesë janë njerëz të padrejtë sepse padrejtësia akoma egziston tek njerezit.

Nuk ka asnjë rast që Profeti (s.a.u.s.) ose ndonjë nga shokët e tij ta kenë ndaluar ndonjë person të shthurur që të kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës së tij apo që të martojë vajzën e tij.

Faktet nga jeta e përditshme tregojnë se edhe personi i shthurur kujdeset për vajzën e tij me të gjitha mundësitë duke i dëshiruar asaj të mirën. Edhe nëse vërehen raste të kundërta me këtë, ato janë të papërfillshme në krahasim me rastet e tjera.

Sikur personi i shthurur të mos kishte të drejtë që të kujdesej për fëmijët e tij apo t’i martonte vajzat e tij, atëherë kjo gjë do të kishte qënë ndër gjërat më të rëndësishme që na janë transmetuar dhe që i kemi trashëguar nga të parët tanë. Por kjo gjë nuk na është transmetuar dhe nuk e kemi trashëguar nga të parët. Si është e mundur që ata nuk na e kanë transmetuar një gjë të tillë por kanë vazhduar të veprojnë në të kundërtën?! Sikur shthurja ta anullonte të drejtën e kujdestarisë për fëmijët, atëherë imorali, përdoruesi i alkoolit dhe ai që kryen një nga mëkatët e mëdha do të ndahej nga fëmijët e tij të vegjël dhe dikush tjetër do të caktohej për t’u kujdesur për ta në vend të prindërve. Sidoqoftë, Allahu e di më mirë këtë çështje!”

 

5- Feja islame

Gruaja jobesimtare nuk mund të jetë kujdestare e një fëmije musliman. Kujdestaria nënkupton “pushtet” dhe Allahu (xh.sh.) nuk ua ka mundësuar jobesimtarëve që të kenë pushtet mbi besimtarët. Ai ka thënë në Kuran:

 

وَلَنْ يَجْعَلَ اللَّهُ لِلْكَافِرِينَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ سَبِيلا

“Allahu nuk ua mundëson jobesimtarëve që të kenë pushtet mbi besimtarët.”[214]

Kujdestaria për fëmijët i ngjason kujdestarisë në martesë dhe në pasuri. Përveç kësaj, nuk mund të sigurohemi se gruaja kujdestare nuk do të ketë influencë mbi besimin e fëmijës dhe se nuk do të përpiqet që ta edukojë atë me rregullat e besimit të saj. Më pas do të jetë e vështirë që fëmija të rikthehet në besimin e tij islam. Ky do të ishte dëmi më i madh që i shkaktohet fëmijës. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë në një hadith: “Çdo fëmijë lind në besimin e natyrshëm, por prindërit e tij e bëjnë atë çifut, kristian ose adhurues të zjarrit.”[215]

Juristët e shkollës hanefije, Ibn Kasimi nga juristët malikijë dhe Ebu Theuri janë të mendimit se lejohet që gruaja jobesimtare të jetë kujdestare për një fëmijë musliman. Ata argumentojnë se kujdestaria e fëmijës nuk nënkupton asgjë më shumë se gjidhënien dhe përkujdesjen ndaj fëmijës. Të dyja këto janë të lejuara që të bëhen nga një jobesimtare.

Ebu Daudi dhe Nesaiu transmetojnë se Rafia Bin Sinani e pranoi fenë islame ndërsa gruaja e tij refuzoi që ta pranonte atë. Gruaja e Rafias shkoi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe kërkoi që të merrte vajzën e saj të cilës ia kishte ndërprerë gjidhënien. Edhe Rafia Bin Sinani kërkoi që ta merrte ai vajzën. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) u lut: “O Zot, udhëzoje vajzën që të zgjedhë.”[216] Vajza anoi më shumë nga babai dhe ai e mori atë.[217]

Megjithëse juristët e shkollës hanefije e lejojnë kujdestarinë e një gruaje jobesimtare për një fëmijë musliman, ata kanë kushtëzuar që gruaja të mos e ketë braktisur fenë islame. Sipas tyre, gruaja që ka braktisur fenë islame meriton të burgoset derisa të pendohet dhe të rikthehet në Islam ose të izolohet derisa të vdesë. Nuk lejohet që asaj t’i jepet mundësia për t’u kujdesur për një fëmijë musliman. Nëse gruaja pendohet dhe rikthehet në Islam, atëherë ajo e rifiton të drejtën e kujdestarisë.[218]

 

6- Gruaja kujdestare nuk duhet të jetë e martuar

Nëse gruaja martohet, atëherë e drejta e saj e kujdestarisë anullohet. Abdullah Bin Amri (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, ky fëmijë ka qënë në barkun tim, pastaj e kam mbajtur në krahët e mi dhe e kam ushqyer me qumështin e gjirit tim. Babai i tij dëshiron që ta mohojë të drejtën time për kujdestarinë e tij.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Ti ke më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk do të martohesh përseri.”[219] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Ky gjykim vlen për rastin kur gruaja martohet me ndonjë person të huaj. Nëse gruaja martohet me një të afërm të fëmijës, si p.sh. me xhaxhain e tij, atëherë e drejta e kujdestarisë nuk anullohet pasi edhe xhaxhai ka të drejtë kujdestarie për fëmijën. Nga ana tjetër, afërsia e burrit me fëmijën e bën atë që të jetë i dhembshur dhe i kujdesshëm për të. Në këtë mënyrë, të dy bashkëshortët bashkëpunojnë në lidhje me përkujdesjen ndaj fëmijës.

Ndërsa në rastin kur gruaja martohet me një burrë të huaj, nuk mund të jemi të sigurtë se burri do të jetë i dhembshur dhe i kujdesshëm ndaj fëmijës. Nga ana tjetër, në këtë rast as gruaja nuk ka mundësi që t’i kushtojë fëmijës përkujdesjen e duhur. Për këto arsye, fëmija nuk mund të gjejë atmosferën e përshtatshme dhe kushtet e volitshme për t’u rritur në mënyrë adekuate.

Hasani dhe Ibn Hazmi janë të mendimit se e drejta e kujdestarisë nuk anullohet edhe nëse gruaja martohet.

 

7- Liria

Personi që është rob nuk ka mundësi që të kujdeset për fëmijën e vogël pasi ai është i zënë duke i shërbyer pronarit të tij.

Ibn Kajimi ka thënë:

“Kushtëzimi i lirisë në lidhje me kujdestarinë e fëmijës nuk mbështetet në ndonjë argument bindës. Liria e personit kujdestar është kushtëzuar nga ndjekësit e Ebu Hanifes, Shafiu dhe Ahmedi, etj. Ndërsa Maliku ka thënë në lidhje me burrin e lirë që ka një djalë të vogël me një robëreshë: “Nëna ka më shumë të drejtë për fëmijën derisa ajo të shitet dhe të kalojë në pronësinë e një burri tjetër. Nëse kjo ndodh, atëherë babai ka më më shumë të drejtë për fëmijën.” Ky është mendimi më i saktë.”

 

 

Pagesa e kujdestarisë

 

Pagesa për kujdestarinë është njëlloj si pagesa për gjidhënien. Nëna nuk paguhet për kujdestarinë e saj ndaj fëmijës nëse ajo është akoma e martuar ose në periudhën e pritjes pasi ajo përfiton shpenzimet martesore ose shpenzimet e periudhës së pritjes. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

 

وَالْوَالِدَاتُ يُرْضِعْنَ أَوْلادَهُنَّ حَوْلَيْنِ كَامِلَيْنِ لِمَنْ أَرَادَ أَنْ يُتِمَّ الرَّضَاعَةَ وَعَلَى الْمَوْلُودِ لَهُ رِزْقُهُنَّ وَكِسْوَتُهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ

 

“Nënat që duan ta plotësojnë gjidhënien janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet të plota, për ato që duan ta plotësojnë kohën e gjidhënies. Babai i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e gruas ashtu siç duhet.”[220]

Pas përfundimit të periudhës së pritjes, gruaja duhet të paguhet si shpërblim për kujdestarinë e saj ndaj fëmijës njëlloj siç paguhet për gjidhënien. Allahu i Madhëruar ka thënë:

 

وَإِنْ كُنَّ أُولاتِ حَمْلٍ فَأَنْفِقُوا عَلَيْهِنَّ حَتَّى يَضَعْنَ حَمْلَهُنَّ فَإِنْ أَرْضَعْنَ لَكُمْ فَآتُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ وَأْتَمِرُوا بَيْنَكُمْ بِمَعْرُوفٍ وَإِنْ تَعَاسَرْتُمْ فَسَتُرْضِعُ لَهُ أُخْرَى

“Nëse ato (gratë e divorcuara) janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa të lindin. Nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuni atyre shpërblimin që u takon dhe merruni vesh me njëri-tjetrin me mirësi. Nëse keni vështirësi për të rënë dakord në mes jush, atëherë le t’i japë gji foshnjës një grua tjetër.”[221]

Gratë e tjera, përveç nënave, duhet të shpërblehen për kujdestarinë e tyre ndaj fëmijëve që nga koha e fillimit të kujdestarisë njëlloj si ato gra që u japin gji fëmijëve.

Përveç pagesës së kujdestarisë dhe gjidhënies, babai është i obliguar që t’i sigurojë fëmijës edhe banesën nëse nëna nuk ka në posedim ndonjë banese ku mund të kujdeset për fëmijën. Nëse babai është në gjendje të mirë financiare dhe nëna ka nevojë për një shërbetore, atëherë ai është i obliguar që të gjejë dhe të paguajë një shërbetore. Përveç kësaj, babai është i obliguar që të përballojë të gjitha shpenzimet e fëmijës për ushqim, veshmbathje, medikamente dhe nevoja të tjera parësore.

Ky shpërblim obigohet që nga momenti i fillimit të kujdestarisë. Kjo pagesë konsiderohet borxh i vërtetë për babain e fëmijës dhe nuk anullohet derisa të paguhet ose të falet.

 

 

Kujdestaria vullnetare

 

Cili është gjykimi i juristëve islamë në lidhje me rastin kur nëna kushtëzon se nuk kujdeset për fëmijën e saj pa pagesë ndërsa njëra nga të afërmet e fëmijës, që i plotëson kushtet e kujdestarisë, ofron kujdestari vullnetare?

Juristët islamë mendojnë se kur babai i fëmijës është në gjendje të mirë financiare, ai është i detyruar që t’i paguajë gruas së tij të divorcuar (nënës së fëmijës) shpërblimin e kujdestarisë. Nuk lejohet që ai t’ia japë fëmijën gruas që ka ofruar kujdestari vullnetare. Fëmija qëndron me nënën pasi kujdestaria më e mirë për të është kujdestaria e nënës perderisa babai është i aftë që ta paguajë shpërblimin e kujdestarisë.

Ndërsa në rastin kur babai është në gjendje të vështirë financiare, lejohet që ai t’ia japë fëmijën gruas që ka ofruar kujdestari vullnetare për shkak të pamundësisë së tij për t’i dhënë nënës së fëmijës shpërblimin e kujdestarisë. Sidoqoftë, është kusht që gruaja, e cila ka ofruar kujdestari vullnetare, t’i plotësojë kushtet e kujdestarisë dhe të jetë e afërme e fëmijës.

Ky gjykim vlen për rastin kur babai është i obliguar që të përballojë shpenzimet e fëmijës së tij. Nëse fëmija ka ndonjë pasuri personale, atëherë fëmija i jepet vullnetares në mënyrë që t’i ruhet pasuria nga një anë, dhe se gjendet kush  kujdeset për të nga të afërmit nga ana tjetër.

Në rastin kur burri është në gjendje të vështirë financiare, fëmija nuk ka asnjë pasuri personale, nëna refuzon që të kujdeset për fëmijën pa pagesë dhe asnjë nga të afërmet e fëmijës nuk ofron kujdestari vullnetare, atëherë nëna detyrohet që të kujdeset për fëmijën. Në këtë rast shpërblimi i kujdestarisë mbetet borxh për burrin dhe nuk anullohet derisa të paguhet ose falet.

 

 

Përfundimi i kujdestarisë së fëmijës

 

Kujdestaria përfundon kur fëmija nuk ka më nevojë për kujdesin e një gruaje pasi ka arritur moshën e aftësisë për të gjykuar dhe për t’u mbështetur tek vetja. Kjo nënkupton se fëmija në këtë fazë është i aftë që t’i kryejë vetë nevojat e tij parësore, d.m.th. ha vetë, vishet vetë dhe pastrohet vetë.

Kujdestaria nuk ka ndonjë kohëzgjatje të përcaktuar pasi ajo ndryshon në varësi të zhvillimit të fëmijës. Aspektet që duhet të merren në konsideratë në këtë rast janë se fëmija duhet “të jetë i aftë për të gjykuar” dhe “të mos ketë nevojë për kujdesin e një gruaje”. Nëse një fëmijë është i aftë për të gjykuar, nuk ka nevojë për kujdesin e një gruaje dhe i kryen vetë nevojat e tij parësore, kjo do të thotë se kujdestaria e tij ka përfunduar.

Juristët e shkollës hanefije dhe disa juristë të tjerë kanë gjykuar se kujdestaria për djalin përfundon kur ai mbush shtatë vjeç, ndërsa kujdestaria për vajzën përfundon kur ajo mbush nëntë vjeçe. Ata kanë gjykuar se periudha e kujdestarisë për vajzën duhet të jetë më e gjatë në mënyrë që ajo të mësojë nga gratë disa aspekte të veçanta që lidhen me natyrën e grave.

Neni 20 i ligjit nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë në lidhje me përcaktimin e moshës së kujdestarisë:

“Gjykatësi ka të drejtë që të lejojë zgjatjen e afatit të kujdestarisë për djalin nga shtatë deri në nëntë vjeç dhe për vajzën nga nëntë deri në njëmbëdhjetë vjeçe, nëse shihet se kjo është më e dobishme.”

Gjykatësi është i autorizuar që të vlerësojë deri në cilën moshë kujdestaria është e dobishme për fëmijën.

Në udhëzimet shpjeguese të këtij ligji thuhet:

“Deri tani gjykatat veprojnë se e drejta e kujdestarisë përfundon kur djali mbush shtatë vjeç dhe kur vajza mbush nëntë vjeçe. Për këtë moshë, praktika tregon se fëmija nuk i’a kalon dot pa kujdestari. Ndarja e fëmijës nga kujdestarja e dëmton atë, veçanërisht nëse babai është i martuar me një grua tjetër. Shumë gra janë ankuar për shkak të anullimit të së drejtës së kujdestarisë për fëmijët e tyre në këtë moshë. Sipas gjykimit të shkollës juridike hanefije në lidhje me kujdestarinë, djali i dorëzohet babait kur ai nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje ndërsa vajza i dorëzohet babait kur ajo arrin pragun e pjekurisë seksuale. Por juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me përcaktimin e moshës kur fëmija nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje. Disa juristë kanë gjykuar se djali nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje kur ai mbush shtatë vjeç, ndërsa disa të tjerë kanë vlerësuar se kjo ndodh kur djali arrin moshën nëntë vjeçare. Gjithashtu disa juristë islamë kanë gjykuar se vajzës i shfaqen shenjat e pjekurisë seksuale në moshën nëntë vjeçare, ndërsa disa të tjerë kanë vlerësuar se kjo ndodh kur vajza mbush njëmbëdhjetë vjeçe. Ministria ka parë të arsyeshme që t’i japë gjykatësit liri për të shqyrtuar nëse është në interesin e fëmijës ose jo që mosha e kujdestarisë të shtyhet pasi djali të ketë mbushur shtatë vjeç dhe vajza të ketë mbushur nëntë vjeçe. Nëse gjykatësi e shikon të arsyeshme, ai ka të drejtë të vendosë zgjatjen e afatit të kujdestarisë për djalin nga shtatë në nëntë vjeç dhe për vajzën nga nëntë në njëmbëdhjetë vjeçe. Nëse gjykatësi mendon se nuk është e arsyeshme zgjatja e afatit të kujdestarisë, atëherë fëmija i kthehet babait.”[222]

Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa shpjegon se gjykatat në Sudan, deri në miratimin e aktit ligjor nr. 34 me 12.12.1932, kanë gjykuar se kujdestaria e djalit përfundon kur ai mbush shtatë vjeç dhe kujdestaria e vajzës përfundon kur ajo mbush nëntë vjeçe.

Neni i parë i aktit ligjor nr. 34 thotë:

“Gjykatësi ka të drejtë që të lejojë zgjatjen e kujdestarisë për djalin pas moshës shtatë vjeçare derisa të arrijë moshën e pjekurisë dhe për vajzën pas moshës nëntë vjeçare derisa të martohet, nëse ai e shikon këtë të arsyeshme. Babai dhe kujdestarët e tjerë të fëmijës kanë të drejtë që të kujdesen për mësimin dhe edukimin e tij edhe gjatë kohës që ai është nën kujdestarinë e gruas.”

Neni i dytë i këtij akti ligjor përcakton:

“Gruaja kujdestare nuk përfiton shpërblim për kujdestarinë e fëmijës pasi djali të ketë arritur moshën shtatë vjeç dhe vajza të ketë arritur moshën nëntë vjeçe.”

Neni i tretë thotë:

“Nëse babai e marton vajzën me qëllim anullimin e kujdestarisë së ish-gruas së tij për vajzën, atëherë martesa nuk e anullon kujdestarinë.”

Nëse shqyrtojmë aktin ligjor nr. 18-6-1942, i cili është lëshuar në Hartum me datë 05.12.1942, do të gjejmë se ai shpjegon nenet e përmendura më sipër. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se akti ligjor nr. 34 e ka zgjatur afatin e kujdestarisë së djalit nga mosha shtatë vjeçare deri në moshën e pjekurisë dhe afatin e kujdestarisë së vajzës nga mosha nëntë vjeçare derisa të martohet. Akti ligjor, në këtë rast të veçantë, nuk ka gjykuar sipas shkollës juridike të Ebu Hanifes por është mbështetur në mendimin e Imam Malikut.

Ky është rast i veçantë dhe gjatë zbatimit të tij duhet që të merren në konsideratë këto detaje:

Gjykatësi vendos shtyrjen e afatit të kujdestarisë nëse gruaja kujdestare kërkon prej gjykatës që fëmija të mbetet nën kujdestarinë e saj. Gruaja duhet të argumentojë se kërkesa e saj është në dobi të fëmijës. Gjykatësi mund të marrë këtë vendim gjithashtu edhe kur gruaja refuzon që t’ia dorëzojë fëmijën ish-burrit të saj duke pretenduar se kjo gjë nuk është në dobi të fëmijës. Nëse babai refuzon që fëmija të qëndrojë tek gruaja kujdestare, atëherë gruaja obligohet që të paraqesë prova për të vërtetuar se kërkesa e saj është në dobi të fëmijës. Nëse gruaja nuk ka mundësi që ta vërtetojë këtë, atëherë gjykata jep gjykimin që ajo mendon se është në interes të fëmijës. Kur gruaja nuk paraqet prova ose kur provat e paraqitura prej saj nuk janë të mjaftueshme dhe gjykata nuk është e bindur se është në interesin e fëmijës që ai të qëndrojë me gruan kujdestare, atëherë gjykata i kërkon babait të betohet se nuk është në interesin e fëmijës që ai të qëndrojë me gruan kujdestare. Nëse babai e bën këtë betim, atëherë gjykata vendos përfundimin e kujdestarisë dhe kthimin e fëmijës tek babai. Nëse babai refuzon të betohet, atëherë fëmija qëndron nën kujdestarinë e gruas.

Kur gruaja kujdestare nuk refuzon që t’ia dorëzojë fëmijën babait ose kur nuk paraqet ndonjë kërkesë në gjykatë, atëherë gjykatësi është i obliguar që të zbatojë rregullat e shkollës juridike hanefije. Kjo do të thotë se ai ia dorëzon babait fëmijën sapo të arrijë moshën e caktuar (shtatë vjeç për djalin dhe nëntë vjeçe për vajzën) pa pasur nevojë që të argumentojë se ky vendim është në dobi të fëmijës.

Nëse gruaja kujdestare nuk është e pranishme në seancën gjyqësore ku burri ka kërkuar që t’i dorëzohet fëmija, atëherë ajo ka të drejtë që të kundërshtojë vendimin e gjykatës dhe të kërkojë që ta mbajë vetë fëmijën. Në këtë rast gjykata ndjek të gjitha procedurat gjyqësore si në rastin e gruas kujdestare e cila ka qënë e pranishme.

Nëse gjykata ka vendosur që fëmija të qëndrojë nën kujdestarinë e gruas duke argumentuar se kjo është në interesin e fëmijës dhe më pas ky interes ndryshon, atëherë babai ka të drejtë të kërkojë nga gjykata rishikimin e çështjes. Lejohet që gjykata ta rrëzojë vendimin e saj të parë nëse rezulton se nuk ka dobi për fëmijën që ai të qëndrojë me gruan. Në këtë rast gjykata vendos që fëmija t’i dorëzohet babait.[223]

 

Fëmija, pas përfundimit të kujdestarisë, ka të drejtë të zgjedhë prindin me të cilin ai dëshiron të qëndrojë

 

Kur djali i vogël arrin moshën e aftësisë për të gjykuar dhe nuk ka më nevojë për kujdesin e një gruaje, atëherë kujdestaria e tij ka përfunduar. Nëse babai dhe gruaja kujdestare e zgjidhin me mirëkuptim çështjen se cili prej tyre do ta mbajë djalin, atëherë lejohet zbatimi i marrëveshjes së tyre. Nëse ata nuk mund të bien dakord në lidhje me këtë, atëherë djalit të vogël i jepet e drejta për të zgjedhur[224] njërin prej prindërve.

Djali i vogël do të qëndrojë me atë prind që zgjedh.

Ebu Hurejra (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, burri im do që ta marrë djalin tim prej meje. Ai ka qënë i dobishëm për mua dhe më ka sjedhur ujë nga pusi i Ebu Unbes[225].”

Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i është drejtuar djalit të vogël dhe i ka thënë: “Ky është babai yt dhe kjo është nëna jote. Merre dorën e cilit të duash prej tyre.” Djali mori për dore nënën e tij dhe u larguan së bashku.[226] Transmetuar nga Ebu Daudi.

Sipas këtij mendimi ka gjykuar Omeri, Aliu dhe Shurejhu. Këtë mendim e kanë mbështetur edhe juristët e shkollës shafiije dhe hanbelije. Sipas tyre, nëse djali i vogël zgjedh të dy prindërit ose nuk zgjedh asnjërin prej tyre, atëherë ata duhet të hedhin short.

Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se babai ka të drejtë që ta marrë djalin e vogël dhe nuk lejohet që të bëhet zgjedhja e fëmijës. Ai argumenton se fjala e djalit të vogël nuk mund të merret për bazë pasi ai nuk e di çfarë është në të mirën e tij. Ndoshta ai do të zgjedhë atë prind me të cilin dëfrehet më shumë duke neglizhuar edukimin dhe mësimin dhe kjo do të shkaktojë shthurjen morale të tij. Fëmija që nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk ka të drejtë që të bëjë zgjedhje njëlloj si fëmija që nuk i ka mbushur shtatë vjeç.

Maliku është i mendimit se gruaja ka më shumë të drejtë për ta mbajtur djalin e vogël derisa të arrijë moshën e pjekurisë.

Çfarë thamë më sipër vlen për djalin e vogël.

Përsa i përket vajzës së vogël, Shafiu është i mendimit se ajo ka të drejtë zgjedhjeje njëlloj si djali i vogël. Ndërsa Ebu Hanifja gjykon se nëna ka më shumë të drejtë për ta mbajtur atë derisa të martohet ose derisa të arrijë moshën madhore. Edhe Maliku është i mendimit se nëna ka më shumë të drejtë për ta mbajtur atë derisa të martohet dhe ta marrë burri në shtëpi. Kurse Ahmedi ka thënë se babai ka të drejtë për ta marrë atë pasi të ketë mbushur nëntë vjeçe dhe nuk është e nevojshme që ajo të bëjë zgjedhje. Nëna ka të drejtë që ta mbajë vajzën e vogël derisa ajo të mbushë nëntë vjeçe.

Në fakt, nuk ka asnjë argument të përgjithshëm në legjislacionin islam që të tregojë prioritetin e njërit prej prindërve ndaj tjetrit në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë argument që të tregojë se fëmija bën zgjedhjen në të gjitha rastet pa kufizim.

Dijetarët islamë janë dakord se nuk mund të përcaktohet njëri prind për ta marrë fëmijën në të gjitha rastet. Në këtë mënyrë, nuk mund t’i jepet prioritet prindit agresiv dhe neglizhent ndaj prindit të drejtë, të devotshëm dhe të kujdesur. Ajo që duhet të merret në konsideratë në këtë rast është aftësia e prindit për ta mbrojtur fëmijën dhe për t’u kujdesur për të. Nëse babai i neglizhon këto detyra dhe nuk mund t’i plotësojë ato, ndryshe nga nëna, e cila është e përkushtuar dhe e kujdesshme, atëherë kujdestaria i takon gruas. Ibn Kajimi ka thënë:

“Nëse dikush e merr fëmijën me zgjedhje, me short apo me ndonjë mënyrë tjetër, ne duhet që ta aprovojmë këtë veprim vetëm nëse është në dobi të fëmijës. Nëse gruaja e ruan fëmijën me më shumë kujdes se burri, atëherë ajo ka më shumë prioritet për ta mbajtur atë. Në këtë rast nuk është e nevojshme që të pyetet djali apo të hidhet shorti. Fëmija e ka aftësinë e gjykimit të dobët dhe mund të gënjehet lehtë nga dëfrimi dhe loja. Nëse fëmija zgjedh prindin që e ndihmon atë për të luajtur dhe për t’u dëfryer, atëherë zgjedhja e tij nuk mund të merret në konsideratë përderisa prindi tjetër është më i dobishëm dhe më i përkushtuar. Ky është kuptimi i legjislacionit islam i cili nuk mbart veç këtij kuptimi. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj që të fillojnë faljen në moshën shtatë vjeçare, ndëshkoni ata nëse e lënë faljen në moshën dhjetë vjeçare dhe ndani në mes tyre në shtrat.”[227]

Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjet tuaja prej zjarrit, lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët.”[228]

Hasani ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj, dhe mësojuni atyre rregullat e fesë.”

Kur nëna e edukon fëmijën dhe i mëson atij Kuranin, ndërsa babai i mundëson atij që të luajë dhe të dëfrehet me shokët, atëherë nëna ka më shumë prioritet për ta mbajtur fëmijën pa qënë nevoja e hedhjes së shortit apo e zgjedhjes së fëmijës. I njëjti gjykim vlen edhe për rastin e kundërt.

Nëse njëri nga prindërit i thyen urdhërat e Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.), ndërsa tjetri i respekton dhe i zbaton ato, atëherë prindi që i respekton urdhërat e Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.) ka më shumë prioritet për ta marrë fëmijën.

E kam dëgjuar Sheikhul Islamin, Ibn Tejmien, duke thënë: “Një herë dy prindër shkuan para gjykatësit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre rreth çështjes se cili prej tyre kishte të drejtë që ta mbante djalin. Gjykatësi i dha djalit të drejtën për të zgjedhur prindin që dëshironte dhe ai zgjodhi babanë. Nëna i tha gjykatësit: “Pyete djalin përse e zgjodhi babanë.” Gjykatësi e pyeti dhe djali i tha: “Nëna më dërgon çdo ditë tek mësuesi që të mësoj të shkruaj dhe të lexoj dhe mësuesi më rreh. Ndërsa babai më lejon që të luaj gjithë ditën me djemtë e tjerë.” Atëherë gjykatësi ia dha nënës të drejtën për të mbajtur fëmijën.

Ibn Tejmia ka thënë gjithashtu se kur ndonjëri nga prindërit e neglizhon edukimin dhe mësimin e fëmijës, ai konsiderohet mëkatar pasi në këtë mënyrë nuk ka zbatuar urdhërat e Allahut (xh.sh.). Si rrjedhim, ai nuk ka të drejtë kujdestarie përderisa nuk e përmbush atë siç duhet. Në këtë rast, ai duhet të heqë dorë nga kujdestaria duke ia dhënë fëmijën prindit tjetër që i plotëson kriteret e kujdestarisë. Një zgjidhje tjetër është që ai të pajtohet dhe të bashkohet me prindin tjetër në mënyrë që të dy së bashku të përmbushin detyrimet e kujdestarisë. Qëllimi gjithmonë duhet të jetë bindja ndaj urdhërave të Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.) nëse kjo është e mundur.”

 

Fëmija në mes të babait dhe nënës

 

Juristët e shkollës shafiije kanë thënë:

“Nëse djali i vogël zgjedh për të qëndruar me nënën, atëherë ai e kalon natën në shtëpinë e saj ndërsa gjatë ditës babai ka të drejtë që ta marrë atë për ta dërguar në shkollë ose për t’i mësuar një profesion. Nëse fëmija zgjedh babain, atëherë ai e kalon natën dhe ditën në shtëpinë e babait. Sidoqoftë, babai nuk ka të drejtë që ta ndalojë atë për të vizituar nënën e tij pasi kjo është mosmirënjohje dhe mospërmbushje e obligimit për të ruajtur lidhjet e gjakut. Nëse fëmija sëmuret, atëherë nëna ka më shumë të drejtë se kushdo tjetër që të kujdeset për të pasi i sëmuri konsiderohet njëlloj si fëmija i vogël i cili ka nevojë për përkujdesjen e nënës.

Ndërsa vajza e vogël qëndron ditën dhe natën me atë prind që ka zgjedhur. Sidoqoftë, prindi tjetër ka të drejtë që ta vizitojë atë në shtëpinë ku ajo banon por pa e tepruar me vizita të gjata apo të shpeshta. Divorci në mes të prindërve përcakton se ata nuk duhet që të shkojnë tek shtëpia e njëri-tjetrit për të qëndruar gjatë. Nëse vajza sëmuret, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që të kujdeset për të në shtëpinë e saj. Nëse njëri nga prindërit sëmuret dhe fëmija banon me prindin tjetër, atëherë ai duhet të shkojë tek prindi i sëmurë, po kështu të prezantojë në vdekjen e njërit prej tyre. Nëse fëmija më vonë zgjedh për të banuar me prindin tjetër, ai mund ta bëjë këtë pasi kjo varet nga dëshira e tij. Nëse fëmija ka dëshirë për të qëndruar për disa kohë tek njëri prind dhe pjesën e mbetur tek prindi tjetër, kjo është e lejuar. Dëshira e fëmijës në këtë aspekt duhet të merret për bazë njëlloj si dëshira e tij për të përzgjedhur ushqimin apo pijet që i pëlqejnë.

 

 

Udhëtimi së bashku me fëmijën

 

Nëse njëri prej prindërve e ka të domosdoshme që të udhëtojë në një vend tjetër përkohësisht ndërsa prindi tjetër nuk udhëton, atëherë prindi që nuk udhëton ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Ky gjykim është dhënë për shkak se udhëtimi është i lodhshëm për fëmijën dhe mund ta dëmtojë atë, veçanërisht kur ai ushqehet me gji. Ky rregull vlen për të gjitha llojet e udhëtimeve duke përfshirë edhe haxhin.

Nëse njëri nga prindërit udhëton në një vend tjetër për të qëndruar atje përgjithmonë dhe rruga apo vendi ku ai do të qëndrojë nuk janë të sigurtë, ndërsa prindi tjetër nuk udhëton, atëherë prindi që nuk udhëton ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Nëse rruga dhe vendi ku ai do të qëndrojë janë të sigurtë, atëherë ka dy mendime në lidhje me këtë rast. Sipas njërit mendim, kujdestaria i takon babait në mënyrë që ai të ketë mundësi ta rrisë, ta edukojë dhe ta mësojë fëmijën e tij. Ky është mendimi i Malikut dhe Shafiut. Transmetohet gjithashtu se Shurjhu ka gjykuar sipas këtij mendimi.

Sipas mendimit të dytë, kujdestaria i takon nënës.

Në lidhje me këtë rast ka edhe një mendim të tretë. Sipas këtij mendimi, nëse prindi që udhëton është babai, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që ta mbajë fëmijën. Nëse prindi që udhëton është nëna dhe ajo shkon në vendin ku ata janë martuar fillimisht, atëherë ajo ka të drejtë që ta marrë fëmijën me vete. Nëse ajo udhëton në një vend tjetër, atëherë babai ka më shumë të drejtë për ta marrë fëmijën. Ky është mendimi i Ebu Hanifes.

Transmetohet gjithashtu se Ebu Hanifja ka dhënë edhe një gjykim tjetër në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë: “Nëse nëna udhëton nga qyteti në fshat, atëherë babai ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Nëse nëna udhëton nga një qytet në një qytet tjetër, atëherë ajo ka të drejtë që ta marrë fëmijën me vete.”

Sikurse shihet, këto mendime nuk bazohen në ndonjë argument bindës. Në fakt, ajo që duhet të merret në konsideratë në këtë rast është interesi dhe dobia e fëmijës. Nëse udhëtimi është më i dobishëm për të, atëherë ai duhet të shkojë me prindin që udhëton. Nëse jo, atëherë ai duhet të qëndrojë me prindin që nuk udhëton.

Çfarë thamë më sipër vlen për rastin kur prindi që udhëton nuk ka për qëllim që të dëmtojë prindin tjetër duke i mohuar atij të drejtën e kujdestarisë. Nëse prindi që udhëton ka për qëllim dëmtimin e prindit tjetër, atëherë ai nuk ka të drejtë kujdestarie.

 

Disa vendime gjyqësore[229]

 

Gjykatat civile kanë dhënë vendime të shumta dhe të larmishme në lidhje me problemet e kujdestarisë. Shumë nga këto vendime nënkuptojnë rregulla të ndryshme të cilat janë transformuar në parime gjyqësore. Në këtë temë do të mjaftohemi me shtjellimin e tre vendimeve gjyqësore:

Vendimi i parë

Ky vendim gjyqësor është marrë nga Gjykata e Kermuzit me datë 10.04.1932 dhe është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë e Aleksandrisë me datë 29.05.1932. Vendimi ka lidhje me refuzimin e kërkesës së një burri për të marrë kujdestarinë e vajzës së tij të vogël pasi nëna e vajzës (njëkohësisht edhe gruaja e tij) banonte në një vend tjetër larg vendit të banimit të burrit dhe pikërisht në vendin ku ata ishin martuar. Burri pretendonte në kërkesen e tij drejtuar gjykatës se mosbindja e gruas për të banuar me të e anullon të drejtën e saj për kujdestarinë e vajzës.

Gjykata argumentoi se, duke u bazuar në legjislacionin islam, gruaja ka të drejtën e kujdestarisë para dhe pas ndarjes. Mosbindja e gruas ndaj burrit nuk e anullon të drejtën e saj për kujdestarinë e fëmijës. Burri ka të drejtë, nëse dëshiron që ta marrë fëmijën, të kërkojë detyrimin e gruas për bindje ndaj burrit përderisa akti martesor është akoma në fuqi. Nëse burri nuk kërkon detyrimin e gruas për bindje ndaj tij por vetëm kujdestarinë e fëmijës, atëherë kjo konsiderohet padrejtësi ndaj gruas dhe kërkesa nuk pranohet. Kjo do t’ia mohonte gruas të drejtën e kujdestarisë dhe të drejtën për të shikuar fëmijën e saj. Nga ky vendim gjyqësor është formuluar rregulli i mëposhtëm:

“Nëse gruaja udhëton së bashku me fëmijën e saj të vogël në një vend tjetër, qoftë edhe të largët, burri nuk ka të drejtë që t’ia mohojë gruas të drejtën e kujdestarisë së fëmijës përderisa akti i tyre martesor është akoma në fuqi. Burri ka të drejtë të kërkojë detyrimin e gruas për bindje ndaj tij dhe në këtë mënyrë ai merr në shtëpinë e tij gruan së bashku me fëmijën. I njëjti gjykim vlen edhe për gruan gjatë periudhes së pritjes pasi ajo është e obliguar të qëndrojë në shtëpinë bashkëshortore.”

Vendimi i dytë

Ky vendim gjyqësor është dhënë nga Gjykata e Bibes me datë 25.05.1931 dhe është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë e Benu Suifit me datë 20.07.1931. Nga ky vendim gjyqësor është formuluar rregulli i mëposhtëm:

“Nëse burri kërkon kujdestarinë e fëmijës me pretendimin se ai nuk mund të shkojë për ta vizituar atë në vendin ku ai banon me nënën për shkak të largësisë, kërkesa e tij refuzohet nëse gruaja banon me fëmijën në vendin ku ata janë martuar. Është kusht gjithashtu që distanca në mes të vendit ku banon burri dhe vendit ku banon gruaja të mos jetë më e madhe se aq sa burri të ketë mundësi të shkojë për të vizituar fëmijën dhe të kthehet para mbrëmjes. Nuk merret në konsideratë fakti nëse burri është larguar nga vendi ku ka jetuar me gruan dhe fëmijën dhe ka shkuar në vendin ku ai jeton tani me ose pa dëshirën e tij.”

Ky gjykim është dhënë sepse gruaja nuk ka asnjë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur.

Ky vendim është marrë rreth një burri që ishte martuar me një grua në vendin e quajtur Benu Mezar. Më vonë ata u divorcuan po në Benu Mezar edhe pse gruaja ishte shtatzënë. Periudha e pritjes përfundoi me lindjen e vajzës. Më pas, gruaja kërkoi nga Gjykata e Bibes të drejtën e saj për kujdestarinë e fëmijës dhe gjykata e aprovoi atë me datë 29.10.1930. Në atë kohë burri ka qënë me banim në Benu Mezar. Më pas, burri u shpërngul me banim në qytetin e Asjutit për shkak të detyrës. Në këtë kohë ai paraqiti në gjykatë kërkesen për të fituar të drejtën e kujdestarisë së vajzës, që në atë kohë ishte vetëm dy vjeçe dhe tetë muajshe.

 

Vendimi i tretë

Ky vendim gjyqësor është marrë nga Gjykata e Demenhurit me datë 25.10.1927. Ai përcakton se, duke u bazuar në rregullat e legjislacionit islam, gruaja kujdestare përveç nënës nuk ka të drejtë që të udhëtojë së bashku me fëmijën në një vend tjetër pa lejen paraprake të babait të fëmijës.

Disa juristë islamë kanë thënë se kjo ndalohet vetëm kur vendet janë larg njëri-tjetrit. Sipas tyre, nëse vendi është aq larg sa babai nuk ka mundësi të kthehet para mbrëmjes nëse shkon për të vizituar fëmijën e tij, atëherë ky udhëtim ndalohet. Nëse vendi është më i afërt se kjo largësi, atëherë kujdestarja ka të drejtë që të udhëtojë me fëmijën pa lejen e babait njëlloj si nëna e fëmijës.

Kështu, ne gjykojmë se është e domosdoshme që të analizohen vendimet gjyqësore të cilat nuk janë gjë tjetër veçse aplikim në praktikë i rregullave të legjislacionit islam. Këto vendime zgjidhin probleme që njerëzit i ndeshin në jetën e tyre praktike. Në këtë mënyrë, gjykatësi i shqyrton rregullat e legjislacionit islam në kuadër të realitetit shoqëror.

 


[1] Kuran: En Nisa 21

[2] Hadith Daif. “Irvaul Galil” 2040, “Sunenu Ebi Daud” 2178, “Sunenu Ibën Maxheh” 2018.

[3] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2175.

[4] Nxjerrja e tij është përmendur më parë në temën “Kushtet të cilat Sheriati i ka ndaluar”.

[5] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2226, Darimi 2275, Ahmedi 5/277, 283.

[6] Hadith Daif. “Gajetul Meram” 256.

[7] Kuran: El Bekare 226-227

[8] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[9] Hadith Daif. U përmend pak më parë.

[10] Hadith Daif. “Gajetul Meram” 253, “Sunenu Ebi Daud” 2177.

[11] Kuran: En Nisa 19

[12] Marrë nga libri “Thirrje për gruan”, fq 97.

[13] Ungjilli i Markut: Kap. 10 (8-9)

[14] Ungjilli i Mateut: Kap. 5 (22-32)

[15] Ungjilli i Markut: Kap. 10 (11)

[16] Kuran: El Bekare 229

[17] Daif me këtë rrugë transmetimi. “Sunenu et Tirmidhi” 1192. Ai është përcjellë me zinxhir të saktë pa përmendjen e Aishes por nga Ibën Abasi dhe me kuptim të përafërt tek Ebu Daudi 2195, Nesai 2/109 dhe Bejhakiu 7/337. Shih “Irvaul Galil” 2080.

* Marrë nga libri : Thirrje për gratë fq 98.

[18] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 297. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4398, Nesai, Ibën Maxheh, 2041, Ibën Hiban 1496, El Hakim 2/59; nga Aisha, Aliu dhe Ebu Katade el Ensari.

[19] Shumë i dobët, ndërsa meukuf (si fjalë e Ebu Hurejrës) është e saktë. “Irvaul Galil” 2042, “Sunenu et Tirmidhi” 1192. Transmetimin meukuf e ka nxjerrë El Begavi në “El Xheadijat”, Bejhakiu 7/359 dhe Buhariu pa sened (mualak).

[20] E ka përmendur Buhariu pa sened (mualak), në fillim të “Kitabul Ikrah”.

[21] Kuran: En Nahl 106

[22] Hadith Sahih. “El Mishkat” 6284, “Irvaul Galil” 82. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2043, 2044, 2045, El Hakim 2801, Darakutni 797, Ibën Hibani 1498, Bejhakiu 7/356. Sheprehja e hadithit të saktë është “Allahu ia ka falur popullit tim…” dhe “Allahu ia ka toleruar popullit tim …”, dhe jo me shprehjen “Popullit tim i është ngritur gabimi …” siç është e përhapur në librat e fikhut dhe të “Usuli Fikhut”; kjo shprehje është munker – e refuzuar.

[23] Kuran: En Nisa 43

[24] E ka përmendur Buhariu pa sened (mualak), në kapitullin e Divorcit.

[25] Hadith Hasen. “Irvaul Galil” 2047. E ka nxjerrë Ahmedi 6/276, Ebu Daudi 2193, Ibën Ebi Shejbe 7/88/2 dhe nga ai e ka përcjellë Ibën Maxheh 2046, Darakutni 440, El Hakim 2/198, Bejhakiu 7/357.

[26] Hadith Hasen – i mirë. “Irvaul Galil” 1826. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2194, Ibën Maxheh 2039, Tirmidhiu 1184, Darakutni 398, El Hakim 2/198, etj.

[27] Kuran: El Bekare 226-227

[28] Hadith Sahih Meshhur – i mirënjohur. E kanë nxjerrë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) dhe të katërt autorët e suneneve, Ahmedi, etj.

[29] Hafidhi ka thënë: “Gruaja mund të ndahet vetëm në rast mosbindjeje ndaj burrit.”

[30] E ka përmendur Buhariu pa sened (mualak), në kapitullin e Divorcit.

[31] Hadith Sahih. “El Irva” 1751, “Es Sahiha” 2184. E ka nxjerrë Ahmedi 2/190, Ibën Xharud 743, Tirmidhiu 1181 pa fjalinë e fundit, Ebu Daudi 2190.

[32] Kjo fjalë mund të mbartet në kuptim divorci, por edhe me kuptim që “ti je larg meje në të këqijat”.

[33] Ka për qëllim divorcin por mund të ketë kuptimin e lirisë  së veprimeve .

[34] Buhariu 5254 “Kapitulli i divorcit”.

[35] Buhariu 4418, 3951, 2757, 2947, 3556, 3889, 4673, etj, Muslimi 6947, Ebu Daudi 2202, Nesai 3423.

[36] Hadith Sahih. Ibën Maxheh 2072.

[37] Muslimi 3662 “Kapitulli i divorcit”, Ibën Maxheh të shkurtuar 2073 dhe Ahmedi 1/225.

[38] Kuran: Et Tahrim 1-2

[39] Me sened daif – të dobët. “Sunenu en Nesai” 3420.

[40] Kuran: El Ahzab 49

[41] Kuran: Et Talak 2

[42] Hadith Hasen. “Irvaul Galil” 2041. Ibën Maxheh 2081.

[43] Kuran: Et Talak 2

[44] Tefsiri i Alusiut, Surja “Et Talak”, Shiko temën “Bazat e Shi’izmit.”

[45] Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2186, Ibën Maxheh 2025, Bejhakiu 7/373.

[46] Kuran: Et Talak 2

[47] Kuran: Et Talak 2

[48] Kuran: Et Talak 2

[49] Kuran: Et Talak 1

[50] Kuran: El Bekare 229

[51] Kuran: Et Talak 1

[52] Hadith Sahih. Buhariu 5251 “Kapitulli i divorcit”, Muslimi 3637 “Kapitulli i divorcit”, Ebu Daudi 2179, Nesai 3390.

[53] Hadith Sahih. Muslimi 3644, Ebu Daudi 2181, Nesai 3397, Ibën Maxheh 2023.

[54] Prej tyre mund të përmendim Ibn Ulejen, Ibn Tejmijen, Ibn Hazmin dhe Ibn Kajimin.

[55] Marrë nga libri “Err-rreudatu En-nedijjetu”, Vëllimi 7, fq. 49.

[56] Kuran: Et Talak 1

[57] Hadith Sahih. Ebu Daudi 2185.

[58] Hadith Sahih. Muslimi 2002 “Kapitulli i të Xhumasë”, Nesai 1578 dhe Ibën Maxheh 45.

[59] Muttefekun alejhi. Buhariu 2697, Muslimi 4468, Ebu Daudi 4606, Ibën Maxheh 14.

[60] Nxjerrja e tij është përmendur pak më parë.

[61] Hadith Daif – i dobët. “El Mishkat” 3292. E ka nxjerrë Nesai 3401.

[62] Kuran: El Bekare 229

[63] Nëse burri ka për qëllim përseritjen e shprehjes kur i thotë gruas me të cilën ka kryer marrëdhënie intime: “Je e divorcuar, Je e divorcuar, Je e divorcuar”, atëherë divorci konsiderohet një i vetëm. Nëse ka për qëllim ta divorcojë atë tre herë, atëherë divorci konsiderohet se është bërë tre herë.

[64] Kuran: El Bekare 230

[65] Kuran: El Bekare 237

[66] Kuran: Bekare 236

[67] Kuran: El Bekare 229

[68] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Buhariu 4745 me të njëjtin kuptim, Ahmedi në “Musned” 5/334.

[69] Hadith Munker – i refuzuar. “Irvaul Galil” 2054. E ka nxjerrë Darakutni 438, Bejhakiu 7/330.

[70] Hadith Daif xhiden – shumë i dobët. “Ed Daife” 1211. E ka nxjerrë Abdurrazaku në “Musannef” 11339, Ibën Udej në “El Kamil” 1/236, Taberani në “Muxhemul Kebir”.

[71] Hadith Daif. “Sunenu Ebi Daud” 2206, Tirmidhi 1177, Ibën Maxheh 2051.

[72] Muslimi 3659 “Kapitulli i divorcit”.

[73] Muslimi 3658, Ebu Daudi 2200, Nesai 3406.

[74] Hadith Hasen. “Irvaul Galil” 7/144-145. E ka nxjerrë Ahmedi 1/265, Bejhakiu 7/339.

[75] Marrë nga libri “Fetava”, Vëll. 3, fq. 22

[76] “Përzgjedhja e mendimit se divorci i shoqëruar me ndonjë numër konsiderohet një divorc i vetëm ka për qëllim ruajtjen e lumturisë familjare. Nga ana tjetër, me anë të këtij artikulli synohet të parandalohet martesa që praktikohet nga shumë njerëz në kohën tonë me qëllim lejimin e kthimit të gruas së divorcuar tre herë tek burri i parë. Ky lloj martese nuk ka asgjë të përbashkët me legjislacionin e pastër islam. Profeti (s.a.u.s.) e ka mallkuar burrin e parë dhe burrin e dytë në këtë martesë. Përveç kësaj, ky nen ka për qëllim të luftojë të gjitha mënyrat që praktikohen nga njerëzit me qëllim zhdukjen e divorcit tre herë dhe të cilat janë në kundërshtim me parimet fetare.”

[77] Kuran: El Bekare 229

[78] Kuran: El Bekare 228

[79] Është përmendur më parë.

[80] Shiko temën “Martesa përkohësisht me një grua të divorcuar tre herë me qëllim lejimin e

kthimit të saj tek burri i parë (Tahlil)” në kapitullin e dytë të këtij libri.

[81] Kuran: El Bekare 230

[82] Kuran: El Ahzab 49

[83] Kuran: El Bekare 229

[84] Kuran: El Bekare 228

[85] Kuran: Et Talak 2

[86] Kuran: Et Talak 2

[87] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[88] Kuran: El Bekare 228

[89] Marrë nga libri “Nejlul Eutar”, Vëll. 6, fq. 214

[90] Abdurrazaku në “Musannef” 11150.

[91] Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme rreth divorcit në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (Khu’la). Disa prej tyre e konsiderojnë atë divorc dhe disa të tjerë e quajnë prishje të aktit të martesës.(Shënim i përkthyesit)

[92] Kuran: El Bekare 229

[93] Marrë nga libri “Bidajetul Muxhtehid”, Vëll. 2, fq. 60

[94] Marrë nga libri “El Muhala”, Vëll. 10, fq. 216

[95] Kuran: El Bekare 230

[96] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[97] Mendimi i Muhamedit është mendimi më dominues në shkollën juridike hanefije.

[98] Marrë nga libri “Bidajetul Muxhtehid”, Vëll. 2, fq. 86-87.

[99] Marrë nga libri “El Muhala”, Vëll. 10, fq. 223.

[100] Kuran: El Ahzab 28-29

[101] Buhariu 2468 “Kitabul Medhalim uel Gasb” në një hadith të gjatë, Nesai 3201, Ibën Maxheh 2053.

[102] Buhariu 5263 “Kapitulli i divorcit”, Muslimi 3668 “Kapitulli i divorcit”, Tirmidhiu 1179, Nesai 3203, 3441.

[103] Muslimi 3670, Nesai 3442, 3443.

[104] Dhahirijtë mendojnë se sikur gratë të kishin zgjedhur veten e tyre, Profeti (s.a.u.s.) do t’i kishte divorcuar ato dhe jo ato veten e tyre.

[105] Marrë nga libri “Bidajetul Muxhtehid”, Vëll. 2, fq. 67

[106] Marrë nga libri “Rregullat e kodit civil në legjislacionin islam”, fq 152

[107] Marrë nga libri “Rregullat e kodit civil në legjislacionin islam”, fq 152

 

[108] Me shpenzime financiare në këtë rast nënkuptojmë shpenzimet jetike të gruas për ushqim, veshmbathje dhe banim në kufinj minimal.Dhe qëllimi për mos posedim shpenzimesh këtu është për në të ardhmen por edhe në aktualitet. Kurse me të shkuarën nuk obligohet gjykatësi  ta pranojë kërkesën për ndarje prej gruas por shpenzimet kthehen në borxh mbi burrin se Allahu thotë:“Dhe nëse është në gjëndje të vështirë atëherë, pritje deri sa të lehtësohet.”( El-Bekare, ajeti 280.

[109] Nëse burri ka ndonjë pasuri të dukshme, atëherë nuk aplikohet divorci por burri obligohet të përballojë shpenzimet jetike të gruas së tij.

[110] Kuran: El Bekare 229

[111] Kuran: El Bekare 231

[112] Kuran: Et Talak 7

[113] Imam Ahmedi pajtohet me mendimin e Malikut, ndërsa Ebu Hanifja dhe Shafiu e kundërshtojnë këtë duke thënë se gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga burri pasi ky dëmtim mund të evitohet në mënyra të tjera.

[114] Ebu Hanifja, Ahmedi dhe Shafiu (sipas njërit prej dy mendimeve të tij) mendojnë se dy personat e caktuar kanë të drejtë që t’i ndajnë bashkëshortët vetëm nëse burri i autorizon për këtë. Ndërsa Maliku dhe Shafiu (sipas mendimit tjetër) mendojnë se dy personat e caktuar kanë të drejtë që të bëjnë pajtimin e bashkëshortëve me ose pa kompensim si edhe divorcin e kërkuar nga gruaja në këmbim të një kompensimi financiar. Nëse personi që është i afërt i burrit gjykon që t’i divorcojë bashkëshortët, ai ka të drejtë që ta bëjë këtë pa pasur nevojën e autorizimit të burrit. Ata argumentojnë se këta dy persona janë gjykatës dhe jo persona të autorizuar.

[115] Kuran: En Nisa 35

[116] Kuran: El Bekare 229

[117] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[118] Maliku mendon se kjo ndarje konsiderohet divorc përfundimtar, ndërsa Ahmedi e konsideron atë prishje të Aktit të martesës.

[119] Kjo nënkupton një vit hënor.

[120] Kuran: En Nisa 19

[121] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[122] Kuran: El Bekare 229

[123] Kuran: El Bekare 187

* Pra ajo nuk do që të ndahet prej tij se ai ka besim të dobët apo edukatë të keqe, por nuk e pëlqente se ishte i shëmtuar. Prandaj nga frika se mos e bënte urrejtja e bukurisë gruan mos mirënjohëse dhe neglizhente për të drejtat e tjera që ka obligim ndaj tij ajo kërkoi (Khul’a).

[124] Buhariu 5273 “Kapitulli i divorcit”, Nesai 3463, Ibnul Xharud 750, Darakutni f. 396 dhe Bejhakiu 7/313 (15207).

[125] Marrë nga libri “Zadul Mead”, Vëll. 4, fq. 27

[126] Kuran: El Bekare 229

[127] Kuran: El Bekare 229

[128] Hadith Daif. Bejhakiu 7/314, dhe ka thënë: “Transmetimi mursel është më i saktë se ky”.

[129] Hadith i dobët. Bejhakiu 7/314.

[130] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 632. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1186, Nesai 3461, Bejhakiu 7/316, Ahmedi 2/414.

[131] Kuran: El Bekare 229

[132] Kuran: En Nisa 19

[133] Kuran: En Nisa 20

[134] Kuran: El Bekare 229

[135] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[136] Kuran: El Bekare 229

[137] Ky është një emërtim tjetër për divorcin me kompensim (khul’a). (Shënim i përkthyesit)

[138] Kuran: El Bekare 230

[139] Khatabiu mendon se ky është argumenti më i fortë i atyre që mendojnë se kjo ndarje është prishje e aktit të martesës dhe jo divorc.

[140] Hadith Sahih. “Sunenu en Nesai” 3497.

[141] Kur,an: En Nisa 128

[142] Buhariu 5206 “Kapitulli i martesës”.

[143] Buhariu 5212 “Kapitulli i martesës”, Muslimi 3614 “Kapitulli i gjitdhënies”, Ebu Daudi 2135 dhe teksti i përmendur është i këtij të fundit.

[144] Kur,an: En Nisa 128

[145] Kuran: En Nisa 35

[146] Përsa i përket ashpërsimit dhe mosbindjes së gruas ndaj burrit, këtë e kemi trajtuar në kapitullin e dytë në temën: “Ndëshkimi i gruas në rast mosbindjeje.”

[147] Kuran: El Muxhadeleh 2

[148] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 7/175. ” Ibën Maxheh 2063 me kuptim të përafërt, El Hakim 2/481 dhe Bejhakiu 7/382.

[149] Kuran: El Muxhadeleh 1

[150] Hadith Hasen. “Sunenu Ebi Daud” 2214, Ahmedi 6/411, Ibën Hibani 1334, Bejhakiu 7/389.

[151] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 2091, “Sunenu Ebi Daud” 2213, Tirmidhiu 1200, Ibën Maxheh 2062, Darimi 2/163-164, Ahmedi 4/37, Ibnul Xharud 744, el Hakim 2/203, Bejhakiu 7/390.

[152] Thonë tre Imamët (Ebu Hanife, Maliku dhe Shafiiu) dhe në në transmetim prej imam Ahmedit: Nëse i thotë gruaja burrit të saj: Ti për mua je si nëna ime atëherë ajo nuk shlyen. Imam Ahmedi sipas një transmetimi tjetër që është më i konsiderueshëm thotë: duhet të shlyejë nëse burri kryen kontaktin intim. Këtë me mendim e zgjodhi edhe El-Hivakij( dijetar Hanbelij)

[153] Kuran: El Muxhadeleh 3

[154] Ky është mendimi i Theuriut dhe njëri nga dy mendimet e Shafiut.

[155] Kuran: El Muxhadeleh 3-4

[156] Sipas një mendimi, ky betim është ligjëruar në vitin e 9-të Hixhri. Sipas një mendimi tjetër, ai është ligjëruar vitin e vdekjes së Profetit (s.a.u.s.).

[157] Kuran: En Nur 6-9

[158] Kjo tregon se pëlqehet këshillimi i bashkëshortëve para betimit.

[159] Kjo tregon se hezitimi nuk është argument i mjaftueshëm për t’u marrë për bazë.

[160] Kjo tregon se gruaja ka qënë shtatzënë në kohën e betimit.

[161] Buhariu 4747 “Kapitulli i Tefsirit”, Muslimi 3727, 3728, 3736 të shkurtuar, Ebu Daudi 2254, Nesai 3469 me shprehje të përafërt, Tirmidhiu 3179, Ibën Maxheh 2067.

[162] Ibn Habani e konsideron hadithin të saktë.

[163] Hadith Daif. “Ed Daife” 1427. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2263, Nesai 3481, Ibën Maxheh 2743 me shprehje të përafërt, Darimi 2/153, Ibën Hiban 1335, El Hakim 2/202-203, Bejhakiu 7/403.

[164] Kuran: En Nur 6

[165] Kuran: En Nur 6

[166] Kuran: El Maide 50

[167] Kuran: En Nur 6

[168] Hadith Sahih. Buhariu 6878 “Kitabu ed Duijat” dhe Muslimi 4351 “Kitabul Kasame” me shprehje të përafërt, Ebu Daudi 4502, Nesai 4017, Tirmidhiu 2158, Ibën Maxheh 2533, el Hakim 4/350, Shafiu në “Musned”.

[169] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2465, “El Irva” 2105. E ka nxjerrë Bejhakiu 7/409-410, Ebu Daudi, Abdurrazaku në “Musanef” 7/112 (12434 dhe 12436), Taberani në El Kebir 9/390

[170] Hadith Daif. “Sunenu Ebi Daud” 2256, Ahmedi 1/239, 245.

[171] Ahmedi 2/216.

[172] Periudha e pritjes fillon të llogaritet që nga momenti i vdekjes së burrit apo i ndarjes së bashkëshortëve.

[173] Kuran: El Bekare 228

[174] Hadith Sahih. Muslimi 3693 “Kapitulli i divorcit” me shprehje të përafërt, Ebu Daudi 2290, Nesai 3552, Tirmidhiu 1135 dhe teksti i përmendur është i tij.

[175] Kuran: El Ahzab 49

[176] Kuran: El Bekare 234

[177] Urtësia e përcaktimit të kësaj periudhe është se, pas kalimit të 120 ditëve, foshnja merr formë në barkun e nënës dhe atij i jepet shpirti. Nuk lejohet që gruaja të martohet me dikë tjetër derisa të hyjë nata e njëmbëdhjetë pas kalimit të katër muajve.

[178] Sipas katër kalifave të drejtë dhe sipas juristëve të shkollës hanefije dhe hanbelije, kryerja e marrëdhënieve intime përfshin edhe të ndenjurit e bashkëshortëve vetëm. Ndërsa juristët e shkollës shafiije janë të mendimit se të ndenjurit e bashkëshortëve vetëm nuk merr gjykimin e kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

[179] Kuran: El Bekare 228

[180] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 1/225. E ka nxjerrë Ebu Daudi 281, Tirmidhiu 126, Ibën Maxheh 625 dhe Bejhakiu 1/116,347; që të gjithë e transmetojnë në formën e fjalisë emërore dhe jo urdhërore.

[181] Kuran: El Bekare 228

[182] Kuran: Et Talak 4

[183] Kuran: Et Talak 1

[184] Marrë nga libri “Zaduel Mead”, Vëll. 3, fq. 96

[185] Marrë nga libri “Zadul Mead”, Vëll. 4, fq. 208

[186] Kuran: Et Talak 4

[187] Marrë nga libri “Zadul Mead”, Vëll. 4, fq. 206

[188] Kuran: Et Talak 4

[189] Buhariu 3991 “Kapitulli i luftërave” mualak, Muslimi 3706 “Kapitulli i divorcit”, Ebu Daudi 2306, Nesai 3518, Ibën Maxheh 2028.

[190] Kuran: El Bekare 234

[191] Kuran: Et Talak 4

[192] Kuran: El Bekare 234

[193] Dhahirijtë janë të mendimit se nuk obligohet respektimi i periudhës së pritjes në një martesë të parregullt edhe nëse bashkëshortët kryejnë marrëdhënie intime. Sipas tyre, nuk ka asnjë argument nga Kurani apo Tradita Profetike që ta argumentojë këtë gjykim.

[194] Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se kur divorci ndodh pas fillimit të muajit, gruaja është e obliguar që të presë pjesën e mbetur të muajit, dy muaj hënorë dhe në muajin e tretë pret ditët që i kanë kaluar nga muaji i parë me kusht që të plotësohen 30 ditë. Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se gruaja pret pjesën e mbetur të muajit të parë, dy muaj hënorë dhe në muajin e katërt pret ditët që i kanë kaluar nga muaji i parë pa marrë parasysh nëse muaji ka pasur 29 apo 30 ditë.

[195] Ka pasur raste që gratë e kanë keqpërdorur këtë gjykim duke pretenduar se periudha e tyre e pritjes nuk ka përfunduar dhe se ato nuk i kanë parë tre ciklet menstruale. Ata e kanë bërë këtë me qëllim që periudha e pritjes të zgjatet dhe ato të kenë mundësi që të përfitojnë shpenzimet financiare nga ana e burrit për një kohë sa më të gjatë. Pas ankesave të paraqitura nga burrat, kjo çështje është rregulluar me ligj. Kështu, neni 17 i ligjit nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë: “Gjykatat nuk marrin në konsideratë pretendimet e gruas në lidhje me shpenzimet e periudhës së pritjes pas kalimit të një viti nga koha e divorcit.” Në udhëzimet shpjeguese të këtij neni thuhet: “Me qëllim parandalimin e pretendimeve të rreme dhe duke u bazuar në dëshmitë e mjekëve se periudha më e gjatë e shtatzanisë është një vit, paragrafi i parë i nenit të 17-të ka përcaktuar se gruaja e divorcuar nuk ka të drejtë të kërkojë shpenzimet e periudhës së pritjes për një kohë më të gjatë se një vit. Ky ligj ka përcaktuar periudhën e përfitimit të shpenzimeve dhe jo kohëzgjatjen e periudhës së pritjes në aspektin fetar. Dihet se periudha e pritjes si pasojë e divorcit është tre cikle menstruale.”

[196] Kuran: Et Talak 1

[197] Një vend 6 milje larg qytetit të Medines.

[198] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 2131 (verifikimi i dytë). E ka nxjerrë Ebu Daudi 2300, Nesai 3529 me shprehje të përafërt, Tirmidhiu 1204, Ibën Maxheh 2031, Darimi 2292, Ahmedi 6/370, 420-421, Ibën Ebu Shejbe 5/184.

[199] Musanef Abdurrazak 12054 me sened të saktë.

[200] Kuran: El Bekare 240

[201] Buhariu 4531 “Kapitulli i Tefsirit të Kuranit”, Ebu Daudi 2301, Nesai 3531.

[202] Sipas juristëve hanbelijë, gruaja nuk përfiton shpenzimet e banesës kur nuk është shtatzënë. Ahmedi ka dy mendime në lidhje me rastin kur gruaja është shtatzënë. Edhe Shafiu ka dy mendime, ndërsa Maliku mendon se gruaja përfiton shpenzimet e banimit gjatë shtatzanisë.

[203] Hadith Sahih. Muslimi 3705, Ebu Daudi 2297, Nesai 3552, Ibën Maxheh 2034.

[204] Hadith Daif – i dobët. “Irvaul Galil” 2135. E ka nxjerrë Bejhakiu 7/436.

[205] Hadith Sahih. Muslimi 3681, Ebu Daudi 2284, 2285, 2286, 2287, 2289, Nesai 3244, 3245, 3405, 3548, Darimi 2183.

[206] Kujdestaria është e obliguar vetëm për fëmijën e vogël në moshë dhe për atë që është i sëmurë nga ana mendore. Personi i rritur dhe i shëndoshë nga ana mendore nuk ka nevojë kujdestarie. Ai ka të drejtë që të zgjedhë të jetojë me prindin që qëshiron, nëse është mashkull ai mund të vetmohet sepse është i pa nevojshëm për ta (prindërit). Është e pëlqyeshme që të mos ndahet e të jetë i sjellshëm me ta. N.q.s. ajo është vajzë ajo nuk duhet të vetmohet. Babai i saj ka të drejtë ta ndalojë vajzën që të jetë në kujdestari tjetër sepse është e pasigurt, se mos kryen imoralitet e kështu turpërohet ajo vetë dhe familja e saj. N.q.s. nuk ka baba ai që kujdeset për vajzën apo të afërmit e ndalojnë të vetmohet apo të kujdeset për të një i huaj.

[207] Hadith Hasen. “Es Silsiletu es Sahiha” 368, “Irvaul Galil” 2187. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2276 me shtesën “përderisa nuk martohesh”, Ahmedi 2/182, Bejhakiu 8/4-5, El Hakim 2/207, Abdurrazaku 12596, Darakutni 418.

[208] Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”.

[209] Me pengesë ligjore nënkuptojmë rastin kur nëna nuk i plotëson kushtet e kujdestarisë.

[210] Hadith Hasen. U përmend më sipër.

[211] Omeri nuk ka qënë i të njëjtit mendim me Ebu Bekrin në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, ai e ka pranuar gjykimin e Ebu Bekrit sepse ai ka qënë prijësi i besimtarëve. Kur Omeri është bërë kalif, ai ka gjykuar sipas mendimit të Ebu Bekrit në lidhje me kujdestarinë e fëmijës në moshë të vogël dhe që nuk është i aftë të gjykojë. Asnjë nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) nuk e ka kundërshtuar këtë mendim.

[212] Ether Daif – i dobët.  “Irvaul Galil” 7/245. E ka nxjerrë Ahmedi në Musned 2/203, Abdurrazaku në Musanef 12600.

[213] Kur nëna nuk i plotëson kushtet e kujdestarisë siç do ta shqyrtojmë në vijim.

[214] Kuran: En Nisa 141

[215] Buhariu 1359, 4775, Muslimi 6700, 6701, 6702, 6703 “Kapitulli i kaderit”, Ebu Daudi 4714, Tirmidhiu 2138 të shkurtuar.

[216] Hadith Sahih. Ebu Daudi 2244, Nesai 3496 me kuptim të përafërt, Ibën Maxheh 2352.

[217] Dijetarët e hadithit e konsiderojnë këtë hadith të dobët. Ibn Mundhiri ka thënë: “Ka mundësi që Profeti (s.a.u.s.) ta ketë ditur se vajza do të zgjedhë babain pasi është lutur për këtë. Kjo veçori është e drejtë e Profetit (s.a.u.s.) dhe e askujt tjetër.”

[218] E drejta e kujdestarisë rifitohet edhe kur ajo anullohet për ndonjë shkak të caktuar dhe më pas ky shkak zhduket.

[219] Hadith Hasen. Është përmendur më parë.

[220] Kuran: El Bekare 233

[221] Kuran: Et Talak 6

[222] Neni 175 i projektligjit civil parashikon se në rastin kur nëna është kujdestare e fëmijës, ajo ka të drejtë që ta mbajë djalin deri në moshën njëmbëdhjetë vjeçare dhe vajzën deri në moshën trembëdhjetë vjeçare. Përveç kësaj, gjykatësi ka të drejtë që ta shtyjë këtë afat deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare kur kujdestarja është nëna e fëmijëve ose nëna e nënës së tyre. Autori është i mendimit se ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, është më i përshtatshëm.

[223] Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”, fq. 516 dhe në vazhdim.

[224] Në zgjedhjen e fëmijës së vogël duhet të plotësohen këto dy kushte:

Palët që nuk bien dakord duhet të jenë kujdestarë ligjorë.

Fëmija duhet të jetë pa të meta mendore.

Nëse fëmija ka të meta mendore, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që ta mbajë atë, qoftë edhe pasi të rritet.

[225] Pus që gjendet një milje nga qyteti i Medinës.

[226] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 7/250. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2277, Nesai 3496, Tirmidhiu 1357, Ibën Maxheh 2351 të shkurtuar, Abdurrazaku 12611, Darimi f.298, El Hakim 4/97.

[227] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 247, 298. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe në “Musanef” 1/137/2, Ebu Daudi 495, Darakutni 85, El Hakim 1/197, Bejhakiu 7/94, Ahmedi 2/187.

[228] Kuran: Et Tahrim 6

[229] Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”.