Kurani, mrekullia e përhershme!

 


Nga libri: Njohuritë elementare Shkencat e Kuranit

Autor: Abdullah ibën Jusuf el Xhudej

Përktheu: Dr. Bledar Albani


 

Në gjuhën arabe, Kuran është infinitive, domethënia e të cilit është: mbedhje, grumbullim. Dhe Kurani, të cilin Allahu i Lartësuar ia ka zbritur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është quajtur Kuran, sepse ai ka mbledhur suret e tij dhe i ka grumbulluar ato.

Kurani është titulli i Librit në gjuhën arabe, i cili i zbriti Muhamedit dhe është shkruar në fletë. Ai  fillon me “Bismilah” dhe suren El Fatiha, dhe mbaron me suren En Nas.

Dhe vet ai ndodhet i shkruar në “El Leuhi  el Mahfudh”, siç ka thënë Allahu i Lartësuar ”Por ai është Kurani i Lavdishëm. Në “El leuh el Mahfudh.” [El Buruxh: 21- 22].

Gjithashtu në Librin e ruajtur mirë, të fshehur, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ky është një Kuran i nderuar. Në një Libër të ruajtur mirë (të fshehur tek Allahu). Atë (që është tek Allahu) nuk mund t’a prekë askush përveç të pastërve dhe të dëlirëve (engjëjve).” [El Vakia: 77-79].

Dhe në Letrat e nderuara, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Jo, por vërtet që ai (Kurani) është këshillë. Kështu që, kush të dojë, le t’i kushtojë atij vëmendje. (Ai është) në Letra të nderuara. Të ngritura lart e të pastruara. Në duart e shkruesëve (engjëjve shkrues). Të nderuar e të bindur.” [Abese: 11-16].

Ai është tjetër dhe jo Teurati, të cilin Allahu ia ka zbritur Musait, as Inxhili, të cilin ia ka zbritur Isait.

I gjithë Kurani, me suret e tij, ajetet dhe fjalët e tij, është Fjalë e Allahut të Lartësuar, me të cilin Ai ka folur dhe ia ka bërë të dëgjueshme të Dërguarit të Tij, Xhibrilit (alejhis selam). Ndërsa Xhibrili zbriti me të dhe ia komunikoi atë Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ashtu siç e dëgjoi. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj (O Muhamed!): Atë (Kuranin) e zbriti Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) nga Zoti yt, me të Vërtetën.” [En Nahl: 102].

Dhe thotë: “Vërtet që ai (Kurani) është Shpallje e Zotit të botëve. Me të cilin zbriti Shpirti besnik (xhibrili). Në zemrën tënde (O Muhamed!), me qëllim që ti të jesh prej këshilluesëve.” [Esh Shuara: 192-194].

Ndërsa Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi atë ashtu siç iu shpall atij, pa fshehur nga ai asnjë gërmë. Dhe pas tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), shokët e tij ia komunikuan atë popullit musliman, pa fshehur asnjë gërmë nga ai. Ai (Kurani) gjendet në duart e njerëzve sot, i shkruar në libra dhe i ruajtur në gjokse (për mendësh). Allahu i Madhëruar është zotuar për ruajtjen e tij, kështu që askush nuk mundet të ndryshojë gjë prej tij, deri sa ai të ngrihet prej gjokseve dhe librave, me Lejen e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe po të donim Ne, vërtet që mund të ta hiqnim atë (Kuranin) që Ne ta kemi shpallur me frymëzim Hyjnor. Pas kësaj ti nuk do të gjeje asnjë mbrojtës për të për veten tënde kundër Nesh. Veçse si Mëshirë nga Zoti yt. Vërtet që Mirësia e Tij mbi ty ka qenë e madhe.” [El Isra: 86-87]. Ky ajet argumenton se Allahu mund ta ngrejë Kuranin me Fuqinë e Tij, nëse dëshiron.

Ndërsa në dy hadithe të sakta, të transmetuar nga Hudhejfe ibën el Jeman dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), thuhet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Libri i Allahut do të ngrihet brenda një nate dhe nuk do të mbesë prej tij në tokë asnjë ajet.”[1]

Kurani i adresohet Allahut të Lartësuar si atribut i Tij dhe jo si krijim i Tij. Kështu besojnë pasuesit e Sunetit dhe të Xhematit, dhe kjo është ajo për të cilën dëshmojnë argumentet Hyjnore dhe logjike.

“Kuran” është emër i të gjithë Librit të shpallur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Po kështu, quhet Kuran edhe një pjesë e tij, si një ajet apo një sure. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni, që të mund të mëshiroheni.” [El Araf: 204]. Këtu është për qëllim një pjesë e Kuranit dhe jo i gjithë ai.

Emrat e Kuranit

Allahu i Madhëruar e ka emërtuar Kuranin madhështor me disa emra dhe e ka cilësuar me disa cilësi:

  1. El Kitab – Libri, si në Fjalën e Allahut: “Ky është Libri për të cilin nuk ka pikë dyshimi.” [El Bekare, 2].
  2. Kelamullah – Fjala e Allahut, si në Fjalën e Allahut: “Dhe në qoftë se ndonjë prej mushrikëve (idhujtarëve) kërkon mbrojtjen tënde, atëherë siguroi atij strehim, me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut (Kuranin).” [Et Teube, 6].
  3. El Furkan – Kriteri i së vërtetës, si në Fjalën e Allahut: “I Lartësuar me Madhështi qoftë Ai i Cili zbriti Kriterin e së Vërtetës (Kuranin) te robi i Tij (Muhammedi), që të jetë këshillues për gjithë Aleminin (për njerëzit dhe xhindet).” [El Furkan, 1].
  4. Edh Dhikru – përkujtimi, si në Fjalën e Allahut: “Vërtet Ne, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithëruajtës të tij.” [El Hixhr, 9].
  5. El Mus-haf – I shkruar në libër. Ky emërtim është shfaqur pas grumbullimit të Kuranin në një libër, në kohën e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kenaqur me të!), siç do ta sqarojmë më pas, por nuk ka ardhur ndonjë hadith i ngritur tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me këtë emërtim të Kuranit, të grumbulluar mes dy koreve të librit, pasi që në Kohën e tij (salallahu alejhi ue selem) Kurani nuk ka qenë në formën e librit.

Pra, emërtimi i Kuranit “Mus-haf” ka ardhur si rezultat i bashkimit të letrave me njëra tjetrën në formën e një libri të vetëm.

E sa për cilësitë me të cilat Allahu i Madhëruar e ka përmendur dhe cilësuar Fjalën e Tij të shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) janë të shumta. Prej tyre: Udhëzim, shërim, mëshirë, këshillë, përkujtim, përgëzim, qortues, qartësues, shpirt, dritë, i qartë, i shkoqitur, i begatë, ndriçim, i nderuar, i lartë, i urtë, i shtrenjtë, i lavdishëm, i vyer, fjala më e mirë, si dhe cilësi të tjera që tregojnë për madhështinë, gradën dhe vendin e lartë të tij.

Përkufizimi i “Sures” dhe “Ajetit”

Për domethënien e “Sures” janë thënë disa fjalë, nga të cilat më të përafërtat janë:

  1. “Surah” i thuhet një vendi apo niveli të ndërtesës, dhe Surja e Kuranit është quajtur kështu për shkak se ato janë vendosur njëra pas tjetrës, të ndara nga njëra-tjetra, apo sepse çdo sure është shkallë për tek surja tjetër.
  2. “Surah” d.m.th: nder dhe vend i lartë.
  3. Origjina e kësaj fjale ka ardhur nga “Su’rah”, që d.m.th. mbetja e diçkaje, por hemzja është hequr për lehtësim në shprehje, për shkak të përdorimit të shpeshtë të saj në fjalët e njerëzve dhe në Kuran.

Sipas kësaj domethënie, Surah është një pjesë nga Kurani.

Ndërsa “Ajet” d.m.th. shenjë, dhe është quajtur ajeti Kuranor kështu sepse siç thuhet, ai është shenjë ndarëse mes fjalëve apo fjalive, apo sepse ai është në vend të shenjave të rrugës të cilat vendosen për udhëzim.

Gjithashtu, sipas disa gjuhëtarëve të arabishtes, ajet d.m.th. grup, dhe është quajtur ajeti i Kuranit me këtë emër sepse ai është një grup gërmash.

Kurani, mrekullia e përhershme

Mrekullia e Kuranit është provimi i paaftësisë së njerëzimit për bërjen e një të tilli si ai, apo si një pjesë e tij, në shprehjet dhe domethëniet e tij.

Kjo veçori e ka bërë Kuranin argumentin më të madh për vërtetësinë e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në shpalljen e tij, si dhe argumentin dhe provën e ngritur për njerëzit (pas të cilit nuk ka justifikim) deri në Ditën e Kiametit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe thonë: “Pse nuk i zbret atij shenja (treguese bindëse) nga Zoti i tij? Thuaju: “Shenjat janë vetëm me Allahun dhe unë jam me të vërtetë këshillues i qartë.” A nuk u mjafton atyre që Ne ta kemi zbritur ty Librin (Kuranin) i cili po u lexohet atyre? Vërtet që në të ka mëshirë dhe përkujtim (e këshillë) për popullin që beson.” [El Ankebut, 50-51].

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Nuk ka pejgamber prej pejgamberëve që të mos i jenë dhënë gjëra (mrekullira) që njerëzit të besonin, ndërsa ajo që më është dhënë mua është shpallje të cilën ma ka shpallur Allahu, dhe unë shpresoj të jem më i pasuari (prej të gjithë pejgamberëve) në ditën e Kiametit.”[2]

Allahu i Madhëruar i jepte prova bindëse Pejgamberëve të Tij për të vërtetuar sinqeritetin e tyre se ata ishin të dërguar nga Allahu, me prova dhe argumente me të cilat zakonisht njerëzit besojnë. Këto kanë qenë mrekullitë e tyre, si shkopi i Musës, ngjallja e të vdekurit nga Isa me Lejen e Allahut, El Isra dhe el Miraxh i Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ue selem).

Por që të gjitha këto mrekulli kanë qenë prova për ata që i shihnin dhe ishin prezent, ndërsa ata që nuk kanë qenë prezent duhet t’i besojnë sipas njoftimit dhe lajmeve të transmetuara, ndryshe nga Kurani, i cili është mrekulli e vazhdueshme dhe e përhershme (deri në Ditën e Kiametit), e cila vazhdon të jetë e gjallë në mesin e njerëzve, i pandryshuar dhe i patjetërsuar, gjë e cila nuk ka për të ndodhur kurrë.

Allahu ka sfiduar me Kuranin të zotët e gjuhës dhe oratorisë, madje të gjithë njerëzimin, madje edhe nëse njerëzit ndihmohen nga xhinër, dhe vazhdon t’i sfidojë me bërjen e një Kurani të tillë si ky, apo si një pjesë e tij, por ata nuk e kanë bërë dhe as nuk do të mund ta bëjnë dot kurrë.

Allahu i Madhëruar thotë: ” Thuaj: “Nëse njerëzimi dhe xhindet do të mblidheshin të gjithë bashkë për të nxjerrur ngjasimin e këtij Kur’ani, ata nuk do ta bënin dot përngjasimin e tij, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.” [El Isra, 88].

“Ose thonë: “Ai (Muhammedi) e ka përpunuar atë (Kuranin).” Thuaju: “Atëherë sillni ju dhjetë Sure që t’i përngjajnë atij (Kuranit) dhe thërrisni kë të doni e kë të mundeni tjetër, përveç Allahut, që t’ju ndihmojë nëse jeni që flisni të vërtetën.” Atëherë nëse ata nuk ju përgjigjen, dijeni pra, se Shpallja është zbritur me Dijen e Allahut.” [Hud, 13-14].

“Dhe nëse ju (o njerëz) dyshoni për atë (Kuranin) që Ne i kemi zbritur robit tonë (Muhammedit), atëherë bëni edhe ju një Sure të ngjashme si ajo dhe thirrni dëshmitarët tuaj (mbrojtësit dhe ndihmësit tuaj, të adhuruarit tuaj) përveç Allahut, nëse jeni të drejtë. Por nëse nuk e bëni dot atë dhe ju kurrë nuk mund ta bëni atë, atëherë kini frikë Zjarrin (Xhehenemin), lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, i përgatitur për mosbesimtarët.” [El Bekare, 23-24].

Por Allahu i ka sfiduar ata nga të bërit e një sureje më të shkurtër si suret e tij, të ngjashme në ndërtim, shprehje e përsosmëri, si dhe në domethënie, argumentim dhe dispozita, dhe ata nuk kanë mundur të bëjnë asgjë prej këtyre me shprehjet dhe fjalët e tyre, apo me ligjet dhe dispozitat e tyre.

Kjo, sepse ai (Kurani) është Fjalë e Zotit të botëve të Lartëmadhëruar, dhe Fjala e Tij është prej Cilësive të Tij, e Ai nuk ka të ngjashëm në Qënien dhe as në cilësitë e Tij, siç thotë Allahu: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Es Shura, 11].

Ashtu si nuk ka të ngjashëm me Allahun në Dëgjimin e Tij, në Shikimin e Tij dhe në asnjë prej Cilësive të Tij, po kështu nuk ka të ngjashëm me Të në Fjalën e Tij.

Ky është shkaku përse Fjala e Tij dallon nga çdo fjalë tjetër dhe përse njerëzimi nuk mund të sjellë dhe të bëjë të ngjashëm me të.

Kurani nuk i ngjan poezive dhe as prozave të tyre, as ligjeve dhe dispozitave të tyre, megjithëse gërmat e tij janë të njëjtat gërma të fjalëve të tyre dhe fjalët e tij janë të njëjtat fjalë të fjalorëve të tyre, por megjithatë ata nuk kanë mundur të bëjnë një sure sado të shkurtër si suret e tij, megjithë oratorinë e gjuhëve të tyre dhe mendjen e tyre të shëndoshë.

Rregullat e poezisë, stilet e prozës dhe nenet e ligjeve kanë refuzuar të krahasohen me të dhe t’i ballafaqohen atij.

“Dhe ky Kuran është i tillë që kurrë nuk mund të bëhet nga ndokush tjetër përveç Allahut, por është njëkohësisht edhe vërtetim i shpalljes para tij (Teuratit, Inxhilit etj) dhe shpjegim i plotë i Librit (ligjeve, urdhrave, rregullimeve të përcaktuara për njerëzimin dhe gjithësinë) për të cilin nuk ka pikë dyshimi se është nga Zoti i botëve.

Apo mos thonë: “Ai (Muhammedi) e ka fabrikuar atë?” Thuaju: “Sillni atëherë një Sure si ato të tijat; thërrisni edhe kë të mundeni, përveç Allahut, nëse jeni të drejtë!”

Përkundrazi, ata e mohojnë (atë) dijen e të cilit ata nuk mund ta kapnin dhe shpjegimet e të cilit akoma nuk kanë mbërritur tek ata. Po kështu mohuan edhe ata para tyre. Shihni atëherë se si ishte fundi i Dhalimunëve (i keqbërësve, i politeistëve)!” [Junus, 37-39].

Transmetohet nga Ebu Dherr el Gifari (radiallahu anhu) se ka thënë: “Dolëm nga fisi ynë “el Gifar”, të cilët e bënin të lejuar muajin e ndaluar. Dola unë, vëllai im Unejsi dhe nëna jonë. (Pastaj përmendi historinë e hyrjes së tij në Islam, ku ndër të tjera Ebu Dherri thotë):

“Unejsi tha: Kam një punë në Meke, ndaj më zëvendëso këtu (bëj edhe punën time apo diçka e tillë). Unejsi shkoi në Meke dhe u vonua. Pastaj erdhi dhe unë i thashë:

-Çfarë bëre?

-Takova një burrë në Mekë, i cili ishte në fenë tënde dhe thoshte se e kishte dërguar Allahu.

-Po njerëzit çfarë thoshin?

-Njerëzit thoshin: Poet, fallxhor, magjistar.

(Unejsi ishte një prej poetëve në atë kohë.)

Unejsi tha: Unë i kam dëgjuar fjalët e fallxhorëve, por ajo nuk ishte prej fjalëve të tyre. Po ashtu, e vendosa fjalën e tij (Pejgamberit) në rregullat e poezisë (për të parë nëse është poezi), por nuk përputhej me poezinë. Betohem në Allahun se ai është i sinqertë! Ndërsa ata janë gënjeshtarë.”[3]


[1] Hadith Sahih. E transmeton Ibën Maxheh (4049) dhe El Hakim në “El Mustedrak” (8460).

[2] Muttefekun alejhi. E ka nxjerrë Buhariu (nr. 4696, 6846) dhe Muslimi (nr. 152).

[3] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Muslimi (nr. 2473).