SURJA “EN NEML”- MILINGONA

(Surja Nr. 27, Mekase, 93 ajete)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. ā Sīn. Këto janë ajetet e Kuranit, të një Libri të qartë.[1]
  2. Udhëzues dhe lajm i mirë për besimtarët,[2]
  3. ata që falin namazin, japin zekatin dhe janë plotësisht të bindur për botën tjetër.[3]
  4. Sa për ata që nuk besojnë në botën tjetër, Ne kemi bërë që t’u duken të bukura veprat e tyre, prandaj ata enden verbërisht.[4]
  5. Të tillët do të kenë dënimin më të keq, dhe në botën tjetër do të jenë më të humburit.[5]
  6. Me të vërtetë, ti (o Muhamed) po e merr Kuranin nga Një i Urtë, i Gjithëdijshëm.[6]
  7. Kur Musai i tha familjes së vet: “Unë pashë një zjarr; do t’ju sjell prej tij ndonjë lajm, ose do t’ju sjell një pishtar të ndezur që të ngroheni.”[7]
  8. Kur shkoi te zjarri, u thirr: “I bekuar qoftë ai që është pranë zjarrit dhe ata që janë rreth tij! Dhe i lartësuar qoftë Allahu, Zoti i botëve![8]
  9. O Musa! Jam vërtet Unë, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti.[9]
  10. Hidhe shkopin tënd!” Por kur ai e pa atë që po lëvizte sikur të ishte një gjarpër i shpejtë, u kthye për të ikur pa u kthyer prapa. (Iu tha): “O Musa, mos u frikëso; me të vërtetë, të dërguarit (e Mi) nuk frikësohen në praninë Time,[10]
  11. përveç atij që ka bërë ndonjë padrejtësi, por pastaj e ka zëvendësuar të keqen me të mirë; vërtet Unë jam Falës dhe Mëshirëplotë.[11]
  12. Fute dorën tënde në gjoksin tënd; ajo do të dalë e bardhë, pa ndonjë të metë. Këto janë prej nëntë shenjave (mrekullive) që do t’i dërgohen Faraonit dhe popullit të tij; me të vërtetë, ata janë një popull i pabindur.”[12]
  13. Por kur atyre u erdhën shenjat Tona të qarta për t’u parë, ata thanë: “Kjo është vetëm një magji e qartë.”[13]

[1] Është folur më parë rreth shkronjave të ndara (huruf al-muqattaʿa) në fillim të sures El-Bekare. Këto që të shpallim ty, o Muhamed, janë ajetet e Kuranit, një Libri të qartë, të cilat ia bëjnë të qartë atij që mendon në to me vëmendje dhe përqendrim, se janë me të vërtetë nga Allahu, dhe se nuk je ti që i ke thurur ato dhe askush tjetër prej krijesave të Allahut, sepse askush nuk mundet të sjellë si ai, edhe sikur të bashkohen njerëzit e xhinët së bashku.

[2] Kurani udhëzon drejt rrugës së shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe jep lajmin e mirë për shpërblimin e bukur për besimtarët që i besuan atij dhe u udhëzuan me udhëzimin e tij;

[3] ata që falin pesë namazet e përditshme të plota me shtyllat e tyre dhe të përmbushura me kushtet e tyre, japin zekatin e detyrueshëm atyre që e meritojnë, dhe janë të bindur për jetën e botës tjetër dhe për atë që ka në të nga shpërblimi dhe dënimi.

[4] Vërtet, ata që nuk e besojnë botën tjetër dhe nuk punojnë për të, Ne ua zbukuruam atyre veprat e këqija, e ata i shohin si të mira, kështu që enden verbërisht.

[5] Të tillët janë ata që do të kenë ndëshkimin e keq në këtë botë – vrasje, robërim, poshtërim dhe disfatë – ndërsa në botën tjetër janë më të humburit nga të gjithë.

[6] Dhe me të vërtetë ti, o i Dërguar, po e merr Kuranin prej Allahut, të Urtit në krijimin dhe rregullimin e Tij, i Cili e ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij.

[7] Kujto historinë e Musait, kur ai i tha familjes së vet gjatë udhëtimit të tij nga ‘Medjani’ drejt ‘Egjiptit’: “Unë pashë një zjarr; do t’ju sjell prej tij një lajm që të na tregojë rrugën, ose do t’ju sjell një pishtar zjarri që të ngroheni prej të ftohtit.”

[8] “Kur Musai arriti te zjarri, Allahu e thirri dhe i bëri të ditur se ky ishte një vend i shenjtëruar dhe i bekuar prej Tij, vend i zgjedhur për t’i folur Musait dhe për ta dërguar me mision. Allahu bekoi ata që ishin pranë zjarrit dhe përreth tij nga engjëjt, dhe lavdëroi e lartësoi Veten, Zotin e gjithë krijesave, nga çdo gjë që nuk i takon Atij.

[9] O Musa, Unë jam Allahu, i vetmi që meriton adhurim; i Plotfuqishmi që ngadhënjej ndaj armiqve të Mi, i Urti në rregullimin e krijesave të Mia.

[10] Dhe hidhe shkopin tënd!’ Kur ai e hodhi shkopin, ai u shndërrua në gjarpër. Kur Musai e pa duke lëvizur me shpejtësinë e një gjarpri të shkathtë, u kthye me vrap dhe nuk u afrua më. Por Allahu e qetësoi, duke i thënë: ‘O Musa, mos ki frikë, sepse tek Unë nuk frikësohen ata që i kam dërguar me misionin Tim.

[11] Por ai që ka kaluar kufirin me mëkat, e pastaj është penduar dhe e ka zëvendësuar shëmtinë e mëkatit me bukurinë e pendimit, Unë jam Falës për të dhe i Mëshirshëm ndaj tij. Prandaj askush të mos humbasë shpresën në mëshirën dhe faljen e Allahut.

[12] Dhe fute dorën tënde në gjoksin tënd; ajo do të dalë e bardhë si bora, pa asnjë sëmundje – kjo ishte pjesë e nëntë mrekullive: shkopi, dora e bardhë, thatësira në tokë, mungesa e fryteve, përmbytja, karkalecat, morrat, bretkosat dhe gjaku – për të të mbështetur ty në misionin tënd tek Faraoni dhe populli i tij, sepse ata ishin një popull i dalë jashtë urdhrit të Allahut, mohues ndaj Tij.

[13] Kur atyre u erdhën këto mrekulli të qarta dhe të dukshme, që kushdo që i shihte mund të kuptonte realitetin e asaj që tregonin, ata thanë: ‘Kjo është vetëm një magji e qartë dhe e dukshme.’

-377-


  1. Ata i mohuan ato (shenjat), nga padrejtësia dhe mendjemadhësia, edhe pse shpirtrat e tyre ishin të bindur për vërtetësinë e tyre. Shiko pra si ishte fundi i prishësve.[1]
  2. Ne i dhamë Daudit dhe Sulejmanit dije. Ata (me mirënjohje) thanë: “Falënderimi i takon Allahut që na ka dalluar mbi shumë prej robërve të Tij besimtarë.”[2]
  3. Sulejmani trashëgoi Daudin, dhe tha: “O njerëz, neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë prej çdo gjëje. Me të vërtetë, ky është favori i qartë.”[3]
  4. Para Sulejmanit u tubuan ushtritë e tij nga xhinët, njerëzit dhe shpendët, të cilët radhiteshin me rregull.[4]
  5. Dhe kur arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në shtëpitë tuaja, që të mos ju thyejë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa ju vënë re.”[5]
  6. Atëherë Sulejmani buzëqeshi një qeshje të veçantë nga fjala e saj, dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo të të falënderoj për mirësinë që më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe të bëj vepra të mira me të cilat Ti je i kënaqur, dhe me mëshirën Tënde më prano ndër robërit e Tu të mirë!”[6]
  7. (Një ditë) Ai (Sulejmani) shqyrtoi shpendët dhe tha: “Pse nuk po e shoh pupëzën, apo është nga ata që mungojnë?[7]
  8. Me siguri do ta ndëshkoj me një dënim të rëndë, ose do ta ther, përveç nëse më sjellë një arsyetim bindës.”[8]
  9. Nuk vonoi shumë dhe ajo (pupëza) erdhi, dhe tha: “Kam zbuluar diçka që ti nuk e di, dhe të kam sjellë nga (qyteti) Sheba një lajm të sigurt.[9]

[1] Faraoni dhe populli i tij i përgënjeshtruan nëntë mrekullitë e qarta, që tregonin qartë vërtetësinë e Musait në profetësinë e tij dhe në thirrjen e tij, dhe i mohuan me gjuhët e tyre se ishin prej Allahut, edhe pse në zemrat e tyre ishin të bindur për to, nga armiqësia ndaj së vërtetës dhe nga mendjemadhësia për ta pranuar atë. Shiko, o i Dërguar, se çfarë ishte fundi i atyre që mohuan provat e Allahut dhe bënë çrregullim në tokë, kur Allahu i mbyti në det! Vërtet, në këtë ka mësim për atë që merr këshillë.

[2] Ne i dhamë Daudit dhe Sulejmanit dije, e ata vepruan me të dhe me mirënjohje thanë: ‘Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili na ka dalluar me këtë mbi shumë prej robërve të Tij besimtarë.’ – Në këtë ajet ka dëshmi për nderin e diturisë dhe për lartësimin e atyre që e zotërojnë atë.

[3] Sulejmani trashëgoi nga i ati, Daudi, profetësinë, dijen dhe mbretërinë. Sulejmani i tha popullit të tij: ‘O njerëz, neve na është mësuar dhe na është dhënë të kuptojmë gjuhën e shpendëve, dhe na është dhënë nga çdo gjë që njeriu ka nevojë. Me të vërtetë, kjo që na ka dhënë Allahu i Lartësuar është mirësia e qartë, që na dallon nga të tjerët.’

[4] Para Sulejmanit u mblodhën ushtritë e tij nga xhinët, njerëzit dhe shpendët, të renditur me rregull gjatë një marshimi të tyre. Edhe pse ishin të shumtë, ata nuk ishin të lënë pas dore, por për secilin grup kishte prej atyre që i ndalonin të parët e tyre derisa t’u bashkoheshin të fundit, që të qëndronin të gjithë të rreshtuar e të rregullt.

[5] Dhe kur arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në strehat tuaja, që të mos ju shkelë e t’ju thyejë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa ju vënë re.” – Ajeti ka përmendur fjalën “thyerje”, që do të thotë se trupi i tyre përbëhet nga lëndë që thuhen, si qelqi.

[6] Atëherë Sulejmani buzëqeshi me një qeshje të veçantë nga fjala e asaj milingone, për shkak të kuptimit dhe udhëzimit të saj në paralajmërimin e të tjerave. Ai ndjeu mirënjohjen për begatinë e Allahut ndaj tij, prandaj në atë çast u lut: ‘Zoti im, më frymëzo dhe më ndihmo që të jem mirënjohës për dhuntinë Tënde që më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të punoj vepra të mira që Ti i pëlqen prej meje, dhe më bëj që me mëshirën Tënde të hyj në xhenetin Tënd së bashku me robërit e Tu të drejtë, veprat e të cilëve Ti i ke pranuar!’

[7] Dhe një ditë gjatë udhëtimit, Sulejmani kontrolloi gjendjen e shpendëve që i ishin nënshtruar dhe vuri re mungesën e njërit prej tyre. Ai kishte një pupëz (hud’hud) të veçantë e të njohur, por nuk e gjeti. Tha: ‘Pse nuk po e shoh pupëzën? A mos vallë diçka e ka fshehur para meje, apo është nga ata që mungojnë e prandaj nuk e pashë?’ Shkaku i kërkimit të shpendëve dhe pyetja e tij posaçërisht për pupëzën ishte se, kur Sulejmani zbriti në një vend gjatë udhëtimit të tij, nuk mund të përcaktonte ku kishte ujë. Atëherë pyeti: “Kush e di se ku është uji në thellësi të tokës?” Ata thanë: “Pupëza.” Atëherë ai kërkoi pupëzën.

[8] Kur u bë e qartë se ajo vërtet mungonte, ai tha: ‘Me siguri do ta ndëshkoj këtë pupëz me një dënim të ashpër për shkak të mungesës së saj, për ta disiplinuar, ose do ta ther si ndëshkim për atë që bëri duke mos përmbushur detyrën që i ishte dhënë; përveç nëse më sjell një provë të qartë, që të ketë një justifikim për mungesën e saj.’

[9] Dhe pupëza (hud’hudi) qëndroi larg për një kohë jo të gjatë, pastaj erdhi, dhe Sulejmani e qortoi për mungesën dhe vonesën e saj. Atëherë pupuza i tha: ‘Unë kam zbuluar diçka që ti nuk e di, me një njohuri të plotë, dhe të kam sjellë nga qyteti i Shebës në Jemen një lajm të madh e me rëndësi, për të cilin jam plotësisht e bindur.’

-378-


  1. Gjeta që ata i sundonte një grua, së cilës i ishte dhënë nga çdo gjë, dhe kishte një fron madhështor.[1]
  2. E gjeta atë dhe popullin e saj t’i përuleshin në sexhde Diellit në vend të Allahut, dhe djalli ua kishte zbukuruar veprat e tyre, duke i penguar nga rruga e drejtë, kështu që nuk ishin të udhëzuar.[2]
  3. Që të mos i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr në pah atë që është e fshehur në qiej dhe në Tokë, dhe di atë që ju fshihni dhe atë që shpallni haptazi.[3]
  4. Allahu – nuk ka të adhuruar tjetër të denjë përveç Atij, Zoti i Arshit Madhështor.”[4]
  5. Sulejmani tha: “Do të shohim nëse ke thënë të vërtetën, apo je nga gënjeshtarët.[5]
  6. Shko me këtë letër timen dhe hidhe tek ata, pastaj largohu prej tyre dhe shiko se çfarë përgjigje do të kthejnë.”[6]
  7. Mbretëresha tha: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike.[7]
  8. Ajo (letër) është nga Sulejmani dhe thotë: ‘Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!‎[8]
  9. Mos u ngrini mbi mua, por ejani tek unë të nënshtruar (Zotit).’[9]
  10. Ajo tha: “O paria ime, më këshilloni për çështjen time. Unë nuk vendos asgjë pa ju.”[10]
  11. Ata thanë: “Ne kemi forcë dhe trimëri të madhe, por vendimi është i yti, prandaj shiko çfarë do të urdhërosh.”[11]
  12. Ajo tha: “Me të vërtetë, kur mbretërit hyjnë në një qytet, e shkatërrojnë atë dhe fisnikët e tij i bëjnë të poshtëruar; kështu veprojnë gjithmonë.[12]
  13. Por unë do t’i dërgoj atij një dhuratë dhe do të shoh se çfarë përgjigje do të sjellin të dërguarit e mi.”[13]

[1] Unë gjeta një grua që sundonte mbi popullin e Shebës, të cilës i janë dhënë nga të gjitha të mirat e kësaj bote, dhe ajo ka një fron madhështor mbi të cilin ulet për të drejtuar mbretërinë e saj.

[2] E gjeta atë (mbretëreshën) dhe popullin e saj të adhuronin Diellin, në vend që të adhuronin Allahu. Djalli ua kishte zbukuruar atyre veprat e këqija që bënin dhe i pengonte nga besimi në Allahun dhe Njësimi i Tij, prandaj ata nuk janë të udhëzuar drejt Allahut, adhurimit dhe njësimit të Tij.

[3] Djalli ua zbukuroi atyre këtë, që të mos bien në sexhde para Allahut, Atij që nxjerr në dritë atë që është e fshehur në qiej dhe në Tokë – shiun, bimësinë dhe gjithçka tjetër – dhe që di atë që fshehni dhe atë që shfaqni.

[4] Ai është Allahu, që nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, Zoti i Arshit Madhështor, të cilit nuk i ngjan dhe nuk i afrohet aspak froni i mbretëreshës së Shebës apo i çdo mbreti tjetër. Pra, vetëm Allahun adhuroni.

[5] Sulejmani i tha pupëzës: ‘Do të shqyrtojmë atë që na solle nga ky lajm – a ke thënë të vërtetën, apo je prej gënjeshtarëve?

[6] Shko me këtë letër timen tek populli i Shebës dhe hidhe tek ata. Pastaj qëndro paksa afër tyre, në mënyrë që të dëgjosh fjalët e tyre, dhe vëzhgo se çfarë do të thonë mes tyre.’

[7] Pupëza shkoi dhe ia hodhi letrën mbretëreshës, e ajo e lexoi. Pastaj mblodhi parinë e popullit të saj dhe u tha: ‘Mua më ka ardhur një letër me rëndësi të madhe nga një person me pozitë të lartë.’

[8] Pastaj ajo shpjegoi përmbajtjen e letrës dhe tha: ‘Ajo është nga Sulejmani, dhe në të thuhet: ‘Me emrin e Allahut, të Gjithëmeshirshmit, Mëshirëplotit.

[9] Mos u bëni mendjemëdhenj e mos u ngritni mbi atë për të cilën po ju thërras, por ejani tek unë të dorëzuar, të nënshtruar Allahut me Njësimin dhe bindjen ndaj Tij.’

[10] Ajo tha: ‘O paria ime, më jepni mendimin tuaj për këtë çështje; unë nuk e kam zakon të marr një vendim në ndonjë punë pa praninë dhe këshillën tuaj.’

[11] Ata iu përgjigjën: ‘Ne jemi njerëz të fuqishëm në numër dhe pajisje, dhe jemi të zotë të guximit dhe trimërisë në ashpërsinë e luftës. Por çështja të takon ty; ti je ajo që ke mendimin vendimtar. Prandaj shqyrto se çfarë urdhëron ti, dhe ne do ta dëgjojmë urdhrin tënd dhe do të jemi të bindur ndaj teje.’

[12] Ajo i paralajmëroi ata nga përballja me armiqësi ndaj Sulejmanit dhe u shpjegoi pasojat e rënda të luftës: ‘Kur mbretërit hyjnë në një vend me ushtritë e tyre, me forcë e pushtet, ata e shkatërrojnë atë dhe i kthejnë njerëzit më fisnikë të tij në të nënshtruar e të poshtëruar; ata vrasin e robërojnë, dhe ky është zakoni i tyre i pandryshuar për t’i bërë njerëzit t’i frikësohen.

[13] Unë do t’i dërgoj Sulejmanit dhe popullit të tij një dhuratë, që përmban pasuri të çmuara, për ta zbutur me të, dhe do të pres se çfarë përgjigjeje do të sjellin të dërguarit e mi.’

-379-


  1. Kur i erdhi Sulejmanit (i dërguari me dhuratë), ai tha: “A po më ndihmoni me pasuri? Ajo që më ka dhënë Allahu është më e mirë se ajo që u ka dhënë juve. Ju jeni ata që gëzoheni me dhuratën tuaj.[1]
  2. Kthehu tek ata, sepse Ne do t’u vijmë atyre me ushtri që ata nuk do t’i bëjnë ballë, dhe do t’i nxjerrim prej andej (Shebës) të nënshtruar e të poshtëruar.”[2]
  3. Pastaj tha: “O paria ime, cili prej jush do të ma sjellë fronin e saj para se të më vijnë të nënshtruar?”[3]
  4. Një i fuqishëm (ifrit) nga xhinët tha: “Unë do ta sjell tek ti para se të ngrihesh nga vendi yt; dhe unë jam i fortë për ta bërë këtë, dhe i besueshëm.”[4]
  5. Por ai që kishte dije nga Libri tha: “Unë do të ta sjell para se të të kthehet shikimi (kur hap e mbyll sytë).” Kur Sulejmani e pa atë (fronin) të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë nëse do të jem mirënjohës apo mosmirënjohës. Kush është mirënjohës, e bën për të mirën e vet; e kush është mosmirënjohës, s’ka dyshim se Zoti im është i Pasur, Bujar.”[5]
  6. Ai tha: “Ndryshojeni (pak) fronin e saj, që të shohim a do të gjejë udhën e drejtë (a do ta njohë) apo do të mbetet nga ata që nuk udhëzohen (nuk do ta njohë).”[6]
  7. Kur ajo (Belkisa) erdhi (te Sulejmani), iu tha: “A është kështu froni yt?” Ajo tha: “Sikur të ishte vetë ai.” – (Sulejmani tha): “Neve na është dhënë dija para saj, dhe ne i jemi nënshtruar Allahut para saj.[7]
  8. Atë (Belkisën) e kishte penguar nga Islami adhurimi që i bënte më parë të tjerëve përveç Allahut; sepse ajo ishte prej një populli mohues.[8]
  9. Asaj iu tha: “Hyr në pallat.” Kur ajo e pa, mendoi se ishte një ujë i thellë dhe zbuloi këmbët e saj. Por Sulejmani i tha: “Ky është një pallat i shtruar me kristal (kurse uji është nga poshtë).” Ajo tha: “O Zoti im, unë i kam bërë padrejtësi vetes sime, dhe tani, së bashku me Sulejmanin, i dorëzohem Allahut, Zotit të botëve.”[9]

[1] Kur i dërguari i mbretëreshës erdhi me dhuratën te Sulejmani, ai tha me mospëlqim dhe duke përmendur begatitë e Allahut ndaj tij: ‘A po më jepni pasuri për të më kënaqur mua? Ajo që më ka dhënë Allahu – profecia, mbretëria dhe pasuritë e shumta – është më e mirë dhe më e vlefshme se ajo që ju ka dhënë. Përkundrazi, ju jeni ata që gëzoheni me dhuratën që ju dërgohet, sepse jeni njerëz që krenoheni me jetën e kësaj bote dhe kërkoni të shtoni sa më shumë prej pasurive të saj.’

[2] Dhe Sulejmani (paqja qoftë mbi të) i tha të dërguarit të popullit të Shebës: ‘Kthehu tek ata! Pasha Allahun, ne do t’u vijmë me ushtri që ata nuk do të kenë fuqi t’i përballojnë e t’i rezistojnë, dhe me siguri do t’i nxjerrim nga toka e tyre të poshtëruar e të nënçmuar, nëse nuk i dorëzohen vetëm fesë së Allahut dhe nuk heqin dorë nga adhurimi i të tjerëve përveç Tij.’

[3] Sulejmani, duke iu drejtuar atyre që Allahu ia kishte nënshtruar atij prej xhinëve dhe njerëzve rreth tij, tha: ‘Cili prej jush do të më sjellë fronin e madhërishëm të mbretëreshës së Shebës, para se ata të më vijnë të dorëzuar dhe të bindur?’

[4] Një ifrit i fuqishëm nga xhinët tha: ‘Unë do ta sjell atë tek ti para se të ngrihesh nga ky vend ku je ulur. Me të vërtetë, unë jam i fortë për ta bartur dhe i besueshëm për gjithçka që është mbi të; do ta sjell ashtu siç është, pa i munguar asgjë dhe pa e ndryshuar.’

[5] Ai që kishte dije nga Libri tha: ‘Unë do të ta sjell fronin e saj para se të kthehet qepalla jote kur të lëvizë për të parë diçka.’ Sulejmani e lejoi, dhe ai iu lut Allahut; menjëherë froni u soll para tij. Kur Sulejmani e pa fronin e saj të pranishëm dhe të vendosur para tij, tha: ‘Kjo është nga mirësia e Zotit tim, i Cili më ka krijuar mua dhe gjithë kozmosin, për të më vënë në sprovë: a do të jem falënderues duke pranuar mirësinë e Tij, apo mohues duke lënë falënderimin? Kush falënderon Allahun për begatitë e Tij, e bën për dobinë e vet; e kush i mohon ato e nuk falënderon, Zoti im është i Pasur dhe nuk ka nevojë për falënderimin e tij. Ai është Bujar dhe e shtrin mirësinë e Tij në këtë botë si mbi mirënjohësin ashtu edhe mbi mohuesin; por në botën tjetër do t’i gjykojë dhe do t’a shpërblejë secilin siç e meriton.’

[6] Sulejmani u tha atyre që ishin pranë tij: ‘Ndryshoni pak pamjen e fronit të saj, për të parë zgjuarsinë e saj; që të shohim a do ta njohë fronin e vet pavarësisht ndryshimit që i është bërë, apo do të jetë prej atyre që nuk e dallojnë.’

[7] Kur mbretëresha e Shebës erdhi te Sulejmani, asaj iu tha: ‘A është kështu froni yt?’ Ajo tha: ‘Duket sikur të ishte vetë ai.’ Atëherë u bë e qartë për Sulejmanin se ajo kishte dhënë përgjigjen e duhur, dhe ajo tashmë e kishte njohur fuqinë e Allahut dhe vërtetësinë e profetësisë së Sulejmanit (paqja qoftë mbi të). Ai tha: ‘Ne kemi pasur dije për Allahun dhe për fuqinë e Tij para saj, dhe ne kemi qenë të nënshtruar ndaj urdhrit të Allahut, duke ndjekur fenë e Tij Islame para asaj.’

[8] Mbretëreshën e Shebës (Belkisën) e pengoi nga adhurimi i Allahut të Vetëm ajo që adhuronte përveç Allahut të Lartësuar. Ajo ishte mohuese dhe ishte rritur mes një populli jobesimtar, duke vazhduar mbi fenë e tyre. Përndryshe, ajo kishte mjaft zgjuarsi dhe mendjemprehtësi për të dalluar të vërtetën nga e kota, por besimet e rreme ia kishin verbuar zemrën.

[9] Asaj iu tha: ‘Hyr në pallat!’ Dyshemeja e tij ishte prej xhami, nën të cilin rridhte uji. Kur ajo e pa, mendoi se ishte ujë me dallgët e tij dhe i zbuloi këmbët duke ngritur pak fustanin e gjatë të saj deri poshtë gjurit, për të hyrë brenda. Sulejmani i tha: ‘Është një dysheme e lëmuar prej kristali të pastër, e uji është poshtë saj.’ Atëherë ajo e kuptoi madhështinë e mbretërisë së Sulejmanit dhe tha: ‘Zoti im, unë i kam bërë padrejtësi vetes me atë që kam qenë në idhujtari, por tani i dorëzohem Zotit të botëve, duke ndjekur Sulejmanin dhe duke hyrë në fenë e Tij.’

-380-


  1. Ne dërguam tek Themudi vëllanë e tyre, Salihun, (me mesazhin): “Adhuroni vetëm Allahun!” Por ata u ndanë në dy grupe, që polemizonin mes tyre.[1]
  2. Ai (Salihu) tha: “O populli im, pse kërkoni shpejtimin e së keqes (ndëshkimit) në vend të së mirës (mëshirës)? Pse nuk kërkoni falje nga Allahu që të mëshiroheni?”[2]
  3. Ata thanë: “Ne të shohim si ogur të keq ty dhe ata që janë me ty.” Ai u tha: “Oguret tuaja janë caktuar nga Allahu; por, ju jeni një popull që sprovohet.”[3]
  4. Në qytet ishin nëntë burra që bënin shkatërrime në tokë dhe nuk bënin asgjë të mirë.[4]
  5. Ata thanë: “Betohemi në Allahun se do ta vrasim atë (Salihun) dhe familjen e tij natën, pastaj do t’u themi të afërmve të tij: ‘Ne nuk ishim dëshmitarë të vrasjes së familjes së tij, dhe ne jemi plotësisht të sinqertë.”[5]
  6. Dhe ata kurdisën një plan, por edhe Ne bëmë një plan, e ata nuk e ndien.[6]
  7. Shiko pra si ishte fundi i planit të tyre: Ne i shkatërruam ata dhe popullin e tyre të tërë.[7]
  8. Ja, këto janë shtëpitë e tyre, të rrënuara, për shkak të padrejtësisë që bënë. Me të vërtetë, në këtë ka shenjë për një popull që kupton.[8]
  9. Dhe Ne i shpëtuam ata që besuan dhe ishin të devotshëm.[9]
  10. Dhe (kujto) Lutin, kur i tha popullit të tij: “A e bëni ju këtë të keqe të turpshme, ndërkohë që shihni (shëmtinë e saj)?[10]
  11. A vërtet ju afroheni me epsh burrave, në vend të grave? Ju jeni me të vërtetë një popull injorant.”[11]

[1] Ne i dërguam fisit Themud vëllanë e tyre, Salihun, me mesazhin: “Adhuroni vetëm Allahun dhe mos i vini Atij asnjë shok.” Kur Salihu erdhi tek ata duke i thirrur në njësimin e Allahut dhe adhurimin vetëm të Tij, populli i tij u nda në dy grupe: njëra palë besuan në të, kurse pala tjetër mohuan thirrjen e tij. Secili prej tyre pretendonte se e vërteta ishte me të.

[2] Salihu (alejhis selam) i tha grupit mohues: “Pse nguteni të mohoni e të bëni vepra të këqija që ju sjellin dënimin, ndërsa e vononi besimin dhe veprat e mira që ju sjellin shpërblimin dhe mëshirën e Allahut? A nuk do të ishte më mirë të kërkonit falje nga Allahu që në fillim dhe të pendoheshit tek Ai, me shpresë që të mëshiroheni?”

[3] Populli i Salihut i tha atij: “Ne të shohim si ogur të keq ty dhe ata që janë me ty, e që kanë hyrë në fenë tënde.” Salihu u tha atyre: “Çfarëdo e mire apo e keqe që ju ka goditur, Allahu është Ai që e ka caktuar për ju dhe do t’ju shpërblejë sipas saj. Në të vërtetë, ju jeni një popull që sprovoheni me begati dhe vështirësi, me të mira dhe me të këqija.”

[4] Dhe në qytetin e Salihut – që ishte “El-Hixhr”, i vendosur në veriperëndim të Gadishullit Arabik – kishte nëntë burra, puna e të cilëve ishte vetëm prishja dhe përhapja e së keqes në tokë, pa asnjë gjurmë të së mirës.

[5] Këta nëntë burra i thanë njëri-tjetrit: “Betohemi në Allahun, duke dhënë besën mes nesh, se do t’i biem papritur Salihut natën dhe do ta vrasim atë bashkë me familjen e tij. Pastaj do t’i themi trashëgimtarit të gjakut nga të afërmit e tij: Ne nuk kemi qenë të pranishëm në vrasjen e tyre, dhe ne jemi plotësisht të sinqertë në atë që po themi.”

[6] Dhe ata kurdisën këtë plan për të shkatërruar Salihun dhe familjen e tij, me mashtrim nga ana e tyre. Por Ne e ndihmuam Profetin Tonë Salih, paqja qoftë mbi të, dhe i goditëm ata me ndëshkim papritur, në një kohë kur nuk e prisnin fare, si shpërblim për kurthin e tyre.

[7] Shiko pra – o i Dërguar – me sy kujtese dhe mësimi fundin e pabesisë së këtyre njerëzve kundër profetit të tyre, Salihut: Ne i shkatërruam ata dhe gjithë popullin e tyre.

[8] Ja, këto janë banesat e tyre, të zbrazëta, ku nuk ka mbetur asnjë prej tyre. Allahu i shkatërroi, sepse i bënë padrejtësi vetes së tyre me idhujtari dhe me përgënjeshtrimin e profetit të tyre. Në këtë shkatërrim e zhdukje ka me të vërtetë një mësim për njerëzit që kuptojnë atë që Ne u bëmë atyre, dhe ky është ligji Ynë ndaj atyre që mohojnë të dërguarit.

[9] Dhe Ne e shpëtuam nga ndëshkimi që goditi fisin Themud, Salihun dhe besimtarët që ishin me të, të cilët ruheshin nga dënimi i Allahut me anë të besimit të tyre.

[10] Dhe kujto Lutin, kur i tha popullit të tij: “A bëni ju veprën më të shëmtuar, ndërkohë që e dini shëmtinë e saj?

[11] A vërtet ju afroheni burrave nga prapa, me epsh, në vend të grave? Ju jeni vërtet një popull injorant, që nuk e njihni të drejtën e Allahut mbi ju, e për këtë keni kundërshtuar urdhrin e Tij dhe keni mëkatuar ndaj të dërguarit të Tij me këtë vepër të shëmtuar, të cilën nuk e kishte bërë askush para jush nga njerëzit e botës.”

-381-


  1. Dhe përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër, veçse të thoshin: “Dëbojeni familjen e Lutit nga qyteti juaj; sepse ata janë njerëz që duan të qëndrojnë të pastër.”[1]*
  2. Atëherë Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, së cilës i caktuam të ishte nga ata që do mbeteshin në dënim.[2]
  3. Dhe mbi ta zbritëm një shi (gurësh). Sa i keq ishte ai shi për ata që qenë paralajmëruar![3]
  4. Thuaj: “Falënderimi i takon Allahut dhe paqja qoftë mbi robërit e Tij që Ai i ka zgjedhur. A është Allahu më i mirë apo idhujt që ata i shoqërojnë Atij?”[4]
  5. (A janë më të mirë idhujt) apo Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, që ju zbriti nga qielli ujë, e me të bëmë që të mbijnë kopshte me bukuri të shumta, pemët e të cilave ju nuk mundeni t’i bëni që të mbijnë? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Jo, por ata janë një popull që bëjnë barazime të padrejta.[5]
  6. (A janë më të mirë idhujt) apo Ai që e bëri Tokën vend të qëndrueshëm, që bëri në të lumenj, që ngriti në të male të forta dhe që vendosi pengesë mes dy deteve? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Jo, por shumica e tyre nuk dinë.[6]
  7. (A janë më të mirë idhujt) apo Ai që i përgjigjet të ngushtuarit kur e thërret dhe ia largon të keqen, dhe ju bën juve pasardhës në tokë? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Sa pak që e merrni këshillën![7]
  8. (A janë më të mirë idhujt) apo Ai që ju udhëzon në errësirat e Tokës dhe të detit, dhe që dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij (shiut)? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? I lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që ata i shoqërojnë Atij.[8]


[1] *(XHUZI 20) Dhe populli i Lutit nuk pati ndonjë përgjigje tjetër ndaj tij, përveçse i thanë njëri-tjetrit: “Dëboni nga qyteti juaj familjen e Lutit, sepse ata janë njerëz të ndershëm që ruhen nga marrëdhëniet me meshkuj.” Ata e thanë këtë duke tallur e përqeshur me ta.

[2] Dhe Ne e shpëtuam Lutin dhe familjen e tij nga dënimi që do të binte mbi popullin e tij, përveç gruas së tij, të cilën e caktuam të mbetej me ata që do të ndëshkoheshin, derisa të shkatërrohej bashkë me të shkatërruarit; sepse ajo ishte ndihmëse e popullit të saj në veprat e tyre të shëmtuara dhe ishte e kënaqur me to.

[3] Dhe Ne lëshuam mbi ta nga qielli gurë prej balte shkatërruese, e sa i shëmtuar ishte ky shi për ata që ishin paralajmëruar dhe ndaj të cilëve ishte ngritur argumenti.

[4] Thuaj – o i Dërguar –: “Lavdia dhe falënderimi i takon Allahut, dhe paqja e Tij, si edhe siguria, qoftë mbi robërit e Tij që Ai i zgjodhi për shpalljen e Tij.” Pastaj pyeti idhujtarët e popullit tënd: “A është më i mirë Allahu, i Cili zotëron dobinë dhe dëmin, apo ata që ata i bëjnë shok Atij, të cilët nuk zotërojnë as për veten, e as për të tjerët, as dobi dhe as dëm?”

[5] A janë më të mirë idhujt apo Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, dhe që ju zbret nga qielli ujin, me të cilin Ne bëmë të mbijnë kopshte me pamje të bukur? Ju nuk do të kishit mundur t’i rritnit pemët e tyre, po të mos ishte Allahu që ju zbriti ujin nga qielli. Adhurimi i Tij është i vërteti, ndërsa adhurimi i çdokujt tjetër përveç Tij është i pavërtetë. A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun që bën këto vepra, që të meritojë të adhurohet bashkë me Të dhe të shoqërohet në hyjni? Përkundrazi, këta idhujtarë janë një popull që shmangen nga rruga e drejtë e besimit, duke e bërë të barabartë me Allahun dikë tjetër në adhurim dhe madhërim.

[6] A është më i mirë adhurimi i idhujve që ju i shoqëroni Zotit tuaj, apo i Atij që e bëri tokën vendbanim të qëndrueshëm për ju, vendosi në të lumenj, e bëri malet shtylla të palëvizshme, dhe vuri mes dy deteve – të ëmbël dhe të kripur – një pengesë që të mos e prishin njëri tjetrin? A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun që i bëri këto, që ju ta shoqëroni Atë në adhurimin tuaj? Përkundrazi, shumica e këtyre idhujtarëve nuk e njohin madhështinë e Allahut, prandaj bëjnë shirk nga padija dhe padrejtësia.

[7] A është më i mirë adhurimi i atyre që ju i shoqëroni me Allahun, apo Ai që i përgjigjet të pikëlluarit kur Ai e thërret, ia largon vështirësinë që e ka goditur dhe ju bën pasues në tokë pas atyre që kanë qenë para jush? A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun që t’ju dhurojë juve këto mirësi? Pak kujtoheni dhe merrni mësim, prandaj i shoqëroni Allahut të tjerë në adhurim.

[8] A është më i mirë adhurimi i atyre që ju i shoqëroni me Allahun, apo Ai që ju udhëzon në errësirat e Tokës dhe të detit, kur humbisni rrugën dhe ju mbulon terri, dhe Ai që dërgon erërat si përgëzues të mëshirës së Tij me shiun që ringjall tokën e tharë? A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun që t’ju bëjë diçka nga këto, sa ta lusni atë në vend të Tij? I lartësuar dhe i shenjtëruar është Allahu nga çdo gjë që idhujtarët i shoqërojnë Atij.

-382-


  1. (A janë më të mirë idhujt) apo Ai që e fillon krijimin, pastaj e përsërit atë, dhe që ju furnizon nga qielli dhe Toka? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun?” Thuaj (o Muhamed): “Sillni argumentin tuaj, nëse thoni të vërtetën.”[1]
  2. Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiej apo në Tokë, nuk e di të fshehtën dhe as nuk e dinë se kur do të ringjallen.”[2]
  3. Përkundrazi, dija e tyre për botën tjetër është e turbullt; madje ata janë në dyshim për të, për më tepër ata janë të verbër ndaj saj.[3]
  4. Dhe ata që mohuan thanë: “A thua kur të jemi bërë dhe, si edhe etërit tanë, a do të nxirremi (të gjallë)?[4]
  5. Neve dhe etërve tanë na është premtuar kjo më herët; por këto nuk janë gjë tjetër veçse përralla të të parëve.”[5]
  6. Thuaj (o Muhamed): “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni si ka qenë fundi i kriminelëve.”[6]
  7. Dhe mos u hidhëro për ta, e mos u ngushto nga dredhitë që thurin.[7]
  8. Ata thonë: “Kur do të ndodhë ky premtim, nëse ajo që thoni është e vërtetë?”[8]
  9. Thuaj: “Mbase është afruar për ju një pjesë e asaj që ju kërkoni ta shpejtoni.”[9]
  10. Me të vërtetë, Zoti yt është Bujar ndaj njerëzve, por shumica prej tyre nuk falënderojnë.[10]
  11. Dhe Zoti yt e di mirë atë që fshehin gjokset (zemrat) e tyre dhe atë që ata e shfaqin haptazi.[11]
  12. Dhe nuk ka asgjë të fshehur në qiej dhe në Tokë që të mos jetë e shënuar në një Libër të qartë.[12]
  13. Me të vërtetë, ky Kuran ua tregon bijve të Izraelit shumicën e asaj për të cilën ata kundërshtohen.[13]

[1] A është më i mirë adhurimi i idhujve apo i Atij që e fillon krijimin nga asgjëja, pastaj e shuan kur të dojë, pastaj e ringjall përsëri, dhe që ju furnizon nga qielli me shi dhe nga toka me bimësi e prodhime të tjera? A ka ndonjë të adhuruar tjetër përveç Allahut që i bën këto? Thuaju idhujtarëve, o Muhamed: “Sillni argumentin tuaj, nëse jeni të vërtetë në pretendimin tuaj se Allahu ka ndonjë shok në sundimin dhe adhurimin e Tij.”

[2] Thuaj – o i Dërguar –: “Askush në qiej apo Tokë nuk e di të fshehtën që Allahu e ka veçuar për Veten e Tij, dhe nuk e dinë se kur do të ringjallen nga varret e tyre në Ditën e Kiametit.

[3] Por, kur u përballën me botën tjetër, u bë e plotë njohuria e tyre për të dhe u bindën për të, bashkë me tmerrin që panë aty. Ndërkohë, në dynja ata kishin dyshim për të, madje shpirtrat e tyre ishin të verbuar ndaj saj.

[4] Ata që mohuan Njësinë e Allahut thanë: “A do të ringjallemi vallë ne dhe etërit tanë, të gjallë në të njëjtën pamje si më parë, pasi të kemi vdekur e të jemi kthyer në pluhur?”

[5] Neve dhe etërve tanë na është premtuar kjo ringjallje që më parë, por nuk pamë asnjë të vërtetë në të dhe nuk besuam. Ky premtim nuk është gjë tjetër veçse diçka që e kanë shkruar të parët në librat e tyre nga gënjeshtrat që trilluan.

[6] Thuaj – o i Dërguar – këtyre përgënjeshtruesve: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni vendbanimet e atyre që ishin para jush prej kriminelëve, e shihni si ishte fundi i atyre që përgënjeshtruan të dërguarit? Allahu i shkatërroi ata për shkak të mohimit të tyre, dhe Allahu do t’ju bëjë juve si ata, nëse nuk besoni.”

[7] Dhe mos u hidhëro për shmangien e idhujtarëve prej teje, o Muhamed, dhe përgënjeshtrimin e tyre ndaj teje, dhe mos u ngushto në zemër nga kurthet e tyre kundër teje, sepse Allahu është Ndihmëtari yt mbi ta.

[8] Idhujtarët e popullit tënd, o Muhamed, thonë: “Kur do të jetë ky premtim për dënimin, me të cilin na kërcënon ti dhe pasuesit e tu, nëse jeni të vërtetë në atë që na premtoni?”

[9] Thuaju atyre – o i Dërguar –: “Mund që të jetë afruar për ju një pjesë e atij dënimi të Allahut, të cilin ju e kërkoni me nxitim.”

[10] Vërtet, Zoti yt është plot mirësí ndaj njerëzve; sepse Ai nuk i nxiton me ndëshkim për mëkatet dhe mohimin e tyre ndaj Tij. Por shumica e tyre nuk e falënderojnë për këtë, që të besojnë tek Ai dhe t’i kushtojnë adhurimin vetëm Atij.

[11] Dhe Zoti yt me siguri di atë që fshehin zemrat e krijesave të Tij dhe atë që ata e shfaqin haptazi.

[12] Dhe nuk ka asgjë të fshehtë nga sytë e krijesave në qiej dhe në Tokë, veçse është e shkruar në një Libër të qartë tek Allahu, në El Leuh el Mahfudh. Ai Libër ka përfshirë gjithçka që ka qenë dhe gjithçka që do të jetë.

[13] Me të vërtetë, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit të vërtetën për shumicën e gjërave në të cilat ata kundërshtoheshin.

-383-


  1. Dhe me të vërtetë, ai (Kurani) është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.[1]
  2. Vërtet, Zoti yt do të gjykojë ndërmjet tyre me gjykimin e Tij. Ai është i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.[2]
  3. Prandaj mbështetu tek Allahu; ti je me të vërtetë në të vërtetën e qartë.[3]
  4. Ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë të vdekurit, as nuk mund t’i bësh të shurdhërit të dëgjojnë thirrjen kur ata kthejnë shpinën duke u larguar.[4]
  5. As nuk mund t’i nxjerrësh të verbrit nga humbja e tyre. Ti nuk mund t’ua bësh të dëgjojnë të vërtetën veçse atyre që besojnë Shpalljet Tona dhe janë muslimanë (të nënshtruar plotësisht Allahut).[5]
  6. Dhe kur Fjala Jonë të bëhet e patjetërsueshme ndaj tyre, Ne do t’u nxjerrim një kafshë nga Toka, e cila do t’u flasë atyre, se njerëzit nuk ishin të bindur në shpalljet Tona.[6]
  7. Ditën kur Ne do të grumbullojmë nga çdo popull një grup prej atyre që përgënjeshtruan shpalljet Tona, ata do të mbahen të ndalur në rradhë.[7]
  8. Derisa, kur të vijnë (para Nesh), do t’u themi: “A i mohuat shpalljet e Mia, edhe pse nuk i kishit përvetësuar me dije, apo çfarë keni bërë?”[8]
  9. Atëherë mbi ta do të bjerë Fjala (dënimi) për shkak të padrejtësisë së tyre, e ata nuk do të flasin.[9]
  10. A nuk e shohin ata se Ne e bëmë natën që të pushojnë, kurse ditën që të shohin (e të angazhohen)? Vërtet, në këtë ka shenja për një popull që beson.[10]
  11. Dhe Ditën kur të fryhet në Sur, çdokush që është në qiej dhe çdokush që është në Tokë do të tmerrohet, përveç atyre që do Allahu (të mos i tmerrojë); dhe të gjithë do të vijnë para Tij të përulur.[11]
  12. Ti i sheh malet, duke menduar se janë të palëvizshme, por ato kalojnë si kalimi i reve – krijim i Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm për atë që veproni.[12]


[1] Dhe vërtet, ky Kuran është udhëzim nga humbja dhe mëshirë nga dënimi, për atë që e beson atë dhe udhëhiqet me udhëzimin e tij.

[2] Vërtet, Zoti yt do të gjykojë mes atyre që patën kundërshtime – nga bijtë e Izraelit dhe të tjerë – me gjykimin e Tij: do të ndëshkojë atë që ishte në të pavërtetën dhe do ta shpërblejë atë që bëri mirë. Ai është i Plotfuqishmi, të Cilit nuk i kthehet vendimi, dhe i Gjithëdituri, të Cilit nuk i ngatërrohet e vërteta me të pavërtetën.

[3] Mbështetu – o i Dërguar – në Allahun në të gjitha çështjet e tua dhe ki besim tek Ai; sepse Ai të mjafton ty. Vërtet, ti je mbi të vërtetën e qartë, në të cilën nuk ka dyshim.

[4] Vërtet ti – o i Dërguar – nuk mund t’ua bësh ta dëgjojnë të vërtetën atyre që Allahu ua ka vulosur zemrën dhe ua ka bërë të vdekur, as nuk mund t’ua përcjellësh thirrjen tënde atyre që Allahu ua ka shurdhuar dëgjimin për të mos e pranuar të vërtetën, kur ata kthejnë shpinën e shmangen prej teje. Sepse i shurdhri nuk e dëgjon thirrjen edhe kur i drejtohesh ballë për ballë, e si do ta dëgjojë atëherë kur ai largohet duke u kthyer mbrapa?

[5] Dhe ti – o i Dërguar – nuk je udhëzues për të nxjerrë nga humbja për atë që Allahu e ka verbuar nga udhëzimi dhe drejtimi. Ti nuk mund t’ua bësh të dëgjojnë të vërtetën veçse atyre që besojnë në shenjat Tona; ata janë muslimanë të bindur, që i përgjigjen asaj në të cilën i ke thirrur.

[6] Dhe kur të bëhet i detyrueshëm dënimi mbi ta – për shkak të vazhdimit në mëkate dhe mendjemadhësi, si dhe për shkak të shmangies së tyre nga Ligji dhe gjykimi i Allahut, derisa të bëhen nga më të këqinjtë e krijesave – atëherë do t’u nxjerrim nga Toka, në fundin e kohës, një shenjë prej shenjave të mëdha të Kiametit: “Dabben”- Kafshën e Tokës. Ajo do t’u flasë atyre, duke u thënë se njerëzit që mohonin ringjalljen nuk e besuan Kuranin, as Muhamedin ﷺ, dhe as fenë e tij, e nuk punuan sipas tyre. Me daljen e saj (të Dabbes) do të ndërpritet urdhërimi për të mirën dhe ndalimi nga e keqja, dhe asnjë mohues nuk do të ketë më mundësi të besojë.

[7] Dhe në Ditën e Ringjalljes, kur Ne do të mbledhim nga çdo popull një grup prej atyre që përgënjeshtrojnë argumentet dhe provat Tona, do të ndalohen të parët e tyre derisa t’u bashkohen edhe të fundit, që të mblidhen të gjithë së bashku, pastaj do të sillen përpara për llogari.

[8] Deri kur të vijë nga çdo popull një grup prej atyre që përgënjeshtruan shenjat Tona dhe të mblidhen të gjithë, Allahu do t’u thotë:
“A i përgënjeshtruat ju shpalljet e Mia që i shpalla te të dërguarit e Mi, dhe argumentet që i vendosa si dëshmi për Njësinë Time dhe se vetëm Unë meritoj të adhurohem, pa pasur ju kurrfarë dijeje për pavlefshmërinë e tyre, që të shmangeshit dhe t’i përgënjeshtronit ato? Apo çfarë ishit duke bërë?”

[9] Dhe mbi ta do të bëhet e detyrueshme Fjala e dënimit, për shkak të padrejtësisë dhe mohimit të tyre. Atëherë ata nuk do të jenë në gjendje të flasin me ndonjë argument që të largojnë prej vetes së tyre atë që i ka goditur nga dënimi i rëndë.

[10] A nuk e shohin këta që përgënjeshtrojnë shenjat Tona se Ne e bëmë natën për qetësim dhe gjumë, ndërsa ditën të ndritshme që ata të shohin e të angazhohen për jetesën e tyre? Vërtet, në ndërrimin e natës dhe ditës ka një dëshmi të qartë për një popull që beson në përsosmërinë e Fuqisë së Allahut, Njësinë e Tij dhe madhështinë e begative të Tij.

[11] Dhe kujto – o i Dërguar – ditën kur engjëlli Israfil do të fryjë në “Sur” (Bri), e do të tronditen me frikë të madhe ata që janë në qiej dhe ata që janë në Tokë, nga tmerri i asaj fryrjeje, përveç atyre që Allahu i ka përjashtuar, duke i nderuar dhe ruajtur nga frika. Dhe të gjitha krijesat do të paraqiten para Zotit të tyre të përulur dhe të bindur.

[12] Dhe ti i sheh malet e mendon se qëndrojnë të palëvizshme e të qëndrueshme, por në të vërtetë ato lëvizin me shpejtësi, ashtu si retë që i shtyjnë erërat. Ky është krijimi i Allahut, i Cili e ka bërë çdo gjë me përsosmëri dhe saktësi. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë robërit e Tij, nga e mira apo e keqja, dhe do t’i shpërblejë ata për to.

-384-


  1. Kushdo që vjen me vepër të mirë, do të ketë shpërblim më të mirë se ajo, dhe atë Ditë ata do të jenë të sigurt nga tmerri.[1]
  2. Ndërsa kushdo që vjen me vepër të keqe, do të hidhet me fytyrë në zjarr. “A do të shpërbleheni ndryshe veçse për atë që keni punuar?”[2]
  3. (Thuaj, o Muhamed): “Mua më është urdhëruar të adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti (Mekës), të cilin Ai e ka bërë të shenjtë, dhe Atij i përket çdo gjë. Dhe jam urdhëruar të jem prej atyre që i nënshtrohen Atij;[3]
  4. Dhe të recitoj Kuranin.” Kushdo që udhëzohet, udhëzohet për dobinë e vet; e kushdo që devijon, thuaj: “Unë jam vetëm nga paralajmëruesit.”[4]
  5. Dhe thuaj: “Falënderimi i takon Allahut! Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij, e ju do t’i njihni ato.” E Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni.[5]

[1] Kushdo që vjen Ditën e Kiametit me njësimin e Allahut, me besim tek Ai dhe adhurim vetëm për Të, si edhe me vepra të mira, ai do të ketë tek Allahu një shpërblim të madh, më të mirë e më të vlefshëm se ato që ka vepruar, dhe ky është Xheneti. Ata do të jenë të sigurt në Ditën e Frikës së Madhe.

[2] Dhe kushdo që vjen me shirk dhe me vepra të këqija të ndaluara, shpërblimi i tyre do të jetë që Allahu t’i hedhë përmbys mbi fytyrat e tyre në zjarr Ditën e Kiametit. Dhe do t’u thuhet atyre, si qortim: “A po shpërbleheni me ndonjë gjë tjetër, përveçse me atë që vepruat në dynja?”

[3] Thuaj – o i Dërguar – njerëzve: “Unë jam urdhëruar të adhuroj Zotin e këtij qyteti, që është Meka, të cilën Ai e ka shenjtëruar dhe ka ndaluar mbi krijesat e Tij që të derdhin në të gjak të ndaluar, të bëjnë padrejtësi, të gjuajnë gjahun e saj apo të presin pemët e saj. Atij i përket gjithçka. Dhe unë jam urdhëruar që ta adhuroj vetëm Atë, pa i shoqëruar dikë tjetër, dhe jam urdhëruar të jem prej atyre që i nënshtrohen urdhrit të Tij dhe i përgjigjen me bindje.

[4] Jam gjithashtu i urdhëruar të ua lexoj Kuranin njerëzve.” Pra, kushdo që udhëzohet me atë që ai përmban dhe ndjek atë me të cilin kam ardhur, kjo është vetëm për të mirën e vet dhe shpërblimi i tij është për veten e tij. E kushdo që largohet nga e vërteta, thuaju: ‘Unë jam vetëm një paralajmërues për ju nga dënimi dhe ndëshkimi i Allahut, nëse nuk besoni. Unë jam një prej të dërguarve që kanë paralajmëruar popujt e tyre, dhe nuk kam në dorë udhëzimin.’

[5] Dhe thuaj – o i Dërguar –: “Lavdia dhe falënderimi i takon Allahut. Ai do t’ju tregojë shenjat e Tij në vetet tuaja dhe në qiell e në Tokë, e ju do t’i njihni ato si dëshmi që ju udhëzojnë drejt së vërtetës dhe ju sqarojnë të pavërtetën. Dhe Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni, por do t’ju shpërblejë për të.”

-385-