SURJA «EN NUR» – DRITA

Surja Nr. 24, Medinase, 64 ajete

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe e kemi bërë të detyrueshme, dhe kemi shpallur në të prova të qarta, në mënyrë që ju të kujtoni (të jeni të kujdesshëm).[1]
  2. Laviren dhe lavirin – çdonjërin prej tyre rriheni me nga njëqind goditje me kamxhik, dhe të mos keni kurrfarë mëshire për ta në zbatimin e fesë (ligjit) të Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Dhe dënimin e tyre ta dëshmojë një grup besimtarësh![2]
  3. Laviri mund të martohet vetëm me lavire apo idhujtare, kurse laviren mund ta marrë vetëm një lavir apo idhujtar. Kurse për besimtarët, kjo (martesa me lavire apo lavir) është e ndaluar.[3]
  4. Ata që akuzojnë gratë e dëlira (për imoralitet), pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, i rrihni me nga tetëdhjetë goditje me kamxhik dhe mos e pranoni kurrë dëshminë e tyre – këta janë rebelët e vërtetë –[4]
  5. përveç atyre që më pas pendohen dhe përmirësohen; s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[5]
  6. Ndërsa ata që akuzojnë gratë e tyre për tradhti bashkëshortore, por nuk kanë dëshmitarë të tjerë përveç vetes së tyre, çdokush prej tyre duhet të betohet në Allahun katër herë, se thotë të vërtetën,
  7. dhe një betim të pestë që mallkimi i Allahut të bjerë mbi të, nëse gënjen.[6]
  8. Ndërsa ajo (gruaja e akuzuar) do t’i shpëtojë dënimit (gurëzimit), nëse betohet për Allahun katër herë, se ai (i shoqi) po gënjen,
  9. dhe në betimin e pestë, që zemërimi i Allahut qoftë mbi të, nëse ai (i shoqi) ka thënë të vërtetën.[7]
  10. Veç sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, si dhe fakti se Ai është Pranues i pendimit, i Urtë![8]

[1] Kjo është një sure madhështore, të cilën Ne e kemi zbritur dhe e kemi mbushur plot me rregulla e disiplina të detyrueshme mbi ju; dhe në këtë sure Ne kemi zbritur prova dhe urdhra të qarta, në mënyrë që ju, o besimtarë, të kujtoni, të merrni mësim, të jeni të kujdesshëm dhe t’i zbatoni ato, – përndryshe do të vuani pasojat e moszbatimit të tyre.

[2] Femrën dhe mashkullin që bëjnë kurvëri – duke qenë se janë beqarë, të pamartuar më parë – çdonjërin prej tyre goditeni me nga njëqind goditje me kamxhik – dhe i largoni nga vendi (i burgosni apo i mbani mbyllur) për një vit (siç është urdhëruar me Sunet); kurse ata që janë të martuar dhe bëjnë kurvëri, duhet të goditen me gurë deri në vdekje, siç është urdhëruar në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!); dhe të mos ju shtyjë mëshira në moszbatimin apo lehtësimin e këtij dënimi kunër tyre, nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Ringjalljes në Botën tjetër. Skenën e dënimit të tyre duhet ta dëshmojë një grup besimtarësh (3, 4 apo më shumë), me qëllim të turpërimit dhe marrjes së mësimit, që askush të mos guxojë të bëjë diçka të tillë.

[3] Laviri nuk mundet dhe nuk pëlqen të marohet veçse me lavire apo idhujtare si vetë ai, që kurvërinë dhe tradhëtinë bashkëshortore nuk e quajnë të ndaluar, dhe po ashtu laviren nuk mund ta marrë veçse një lavir apo idhujtar si vetë ajo; kurse të ndershmit dhe të ndershmet, të pastërtit dhe të pastërtat, të dëlirët dhe të dëlirat, nuk mund ta pëlqejnë dhe ta pranojnë kurrë diçka të tillë, dhe sigurisht që martesa me këta njerëz të pandershëm, lavirë apo lavire, është e ndaluar për besimtarët dhe besimtaret. – Përveç nëse dikush është penduar sinqerisht dhe ka ndjekur rrugën e drejtë, atëherë martesa me të është e lejuar.

[4] Ata që akuzojnë gratë e dëlira e të ndershme për imoralitet, pa sjellë katër dëshmitarë të drejtë, i godisni me nga tetëdhjetë kamxhik dhe kurrë mos e pranoni dëshminë e tyre (mos i merrni për dëshmitarë pas kësaj vepre të tyre) – këta janë rebelët e vërtetë, të cilët kanë dalë nga bindja ndaj Allahut –

[5] përveç atyre, të cilët më pas e tërheqin akuzën e tyre dhe pendohen e përmirësohen duke vepruar vepra të mira, atëherë s’ka dyshim se Allahu e falë mëkatin e tyre dhe i mëshiron ata, duke ua pranuar pendimin dhe duke e bërë të lejuar për besimtarët dëshminë e tyre.

[6] Ata që akuzojnë gratë e tyre për tradhëti bashkëshortore, por që nuk kanë asnjë dëshmitar për akuzën e tyre, atëherë në vend të katër dëshmitarëve, çdokush prej tyre duhet të dëshmojë para gjykatësit duke u betuar katër herë për Allahun se thotë të vërtetën, dhe një betim të pestë ku të thotë që mallkimi i Allahut qoftë mbi të, nëse gënjen në akuzën e tij ndaj gruas së vet! Me këto betime ai nuk dënohet për akuzën e tij ndaj gruas, megjithëse nuk ka katër dëshmitarë.

[7] Me betimet e burrit akuzues, bashkëshortja meriton dënimin me gurëzim deri në vdekje, dhe nuk mund t’i shpëtojë këtij dënimi përveç nëse edhe ajo betohet katërh herë për Allahun se ai po gënjen në akuzën e tij se ajo ka bërë kurvëri, dhe në betimin e pestë duhet të lutet kundër vetes duke thënë se zemërimi i Allahut qoftë mbi të, nëse ai ka thënë të vërtetën. Pas kësaj, këta të dy divorcohen nga gjykatësi.

[8] Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush – o besimtarë – dhe mëshira e Tij, me zbritjen e këtyre ligjeve, si dhe fakti që Ai pranon pendimin e atyre që pendohen sinqerisht tek Ai, dhe i Urtë në vendosjen e ligjeve dhe rregullave, padyshim se do tju shpejtohej dënimi dhe turpërimi atyre që veprojnë të keqen prej jush, por Allahu jua mbulon ato, jua fal dhe nuk ju turpëron, nga mëshira dhe mirësia e Tij ndaj jush, kështu që falënderojeni Atë dhe kurrë mos ju afroni ndalesave të Tij!

-350-


  1. Me të vërtetë, ata që trilluan shpifjen (ndaj Aishes), janë një klikë prej jush. Mos mendoni se kjo (shpifje) është e keqe për ju. Përkundrazi, është e mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet sipas pjesës së tij të mëkatit, kurse sa i përket atij që mbarti pjesën më të madhe të shpifjes, ai do të vuajë një dënim të madh.[1]
  2. Kur e dëgjuat këtë shpifje, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?![2]
  3. Pse nuk sollën ata (shpifësit) katër dëshmitarë për këtë shpifje? Por, përderisa nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarët e vërtetë tek Allahu.[3]
  4. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në botën tjetër, me siguri do t’ju kishte goditur një dënim i madh për atë që bëtë[4]
  5. kur e përcillnit atë (shpifjen) me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni, duke e marrë për gjë të lehtë, por tek Allahu kjo është shumë serioze.[5]
  6. Përse kur e dëgjuat atë (shpifje), nuk thatë: “Nuk na ka hije të flasim për këtë. Lavdëruar qofsh Ti, o Zot! Kjo është një shpifje e madhe!”[6]
  7. Allahu ju paralajmëron, që të mos e përsëritni kurrë më diçka të tillë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.[7]
  8. Dhe Allahu ju sqaron provat (ligjet); Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[8]
  9. Me të vërtetë, Ata që duan të përhapet vepra e turpshme në mesin e besimtarëve, kanë dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër; Allahu di gjithçka, kurse ju nuk dini.[9]
  10. Veç sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, si dhe fakti se Ai është i Butë, Mëshirëplotë![10]

[1] Me të vërtetë, ata që trilluan shpifjen për imoralitet kundër Aishes – bashkëshortes së të Dërguarit të Allahut dhe nënës së besimtarëve, historia e së cilës ka ardhur e detajuar në Sahihun e Buhariut (2661), Muslimit (2770) dhe të tjerë – janë një klikë hipokritësh që gjenden në mesin tuaj, o besimtarë të Medines. Por mos mendoni se kjo shpifje është e keqe për ju, përkundrazi, ajo është e mirë për ju, sepse ajo pastroi nënën e besimtarëve, Aishen, dhe ngriti gradët e saj, shqyrtoi besimtarët dhe zbuloi hipokritët. Secili prej atyre që shpifën kundër Aishes, do të marrë dënimin sipas pjesës së tij në shpifje dhe përhapjen e saj, por sa i përket atij që pati pjesën më të madhe të shpifjes, dhe i cili e filloi atë – koka e hipokritëve, Abdullah ibën Ubej ibën Selul -, ai do të vuajë dënim të madh në botën tjetër, ku do të jetë përgjithmonë në fundin më të ulët të Xhehenemit.

[2] Ky është qortim nga Allahu për ata besimtarë, të cilët pësuan luhatje dhe dyshim në pastërtinë e Aishes, kur dëgjuan shpifjen ndaj saj, duke u thënë atyre: Përse nuk menduat mirë për njëri-tjetrin, d.m.th. për Aishen, e cila ishte besimtare si ata, sepse besimtarët janë një, dhe i përkasin të njëjtit popull; dhe të thoshit me bindje: “Kjo është një shpifje e qartë kundër Aishes!”

[3] Përse nuk sollën shpifësit katër dëshmitarë për shpifjen e tyre? Kështu që, përderisa nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarët e vërtetë tek Allahu, kurse Aisha është e pastër nga shpifja e tyre, e dëlirë dhe me grada të larta tek Allahu.

[4] Sikur të mos ishte mirësia e Allahut (mosndëshkimi në çast) ndaj jush, që u përzietë në çështjen e shpifjes kundër Aishes dhe përhapët gënjeshtrën, dhe sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe falja që u bëri juve, në këtë botë dhe në botën tjetër, duke ua pranuar pendimin, padyshim që do tju kishte kapur dënim i madh për atë që bëtë.

[5] Do tju kishte kapur dënim i madh për shkak të çështjes së shpifjes ndaj Aishes, kur ju e dëgjonit dhe e pranonit shpifjen, pastaj e përcillnit atë tek të tjerët, dhe përveç shpifjes, shtoni nga gojët tuaja edhe fjalë të tjera për të cilat nuk kishit dijeni, duke e marrë si diçka të lehtë, por në të vërtetë tek Allahu kjo (shpifja ndaj Aishes, përgojimi, të folurit pa dije) është shumë e madhe dhe shumë serioze, sepse me këtë gjë ju lëndonit të Dërguarin e Allahut dhe njeriun e tij më të dashur, Aishen.

[6] Kur e dëgjuat atë shpifje, përse ju, o besimtarë, nuk thatë: “Nuk na ka hije dhe nuk na lejohet të flasim për këtë gënjeshtër – i Pastër nga çdo e metë je Ti, o Zoti ynë, dhe para Teje shfajësohemi nga të thënit e diçkaje të tillë për gruan e të Dërguarit Tënd! Kjo është një shpifje e madhe!”

[7] Allahu ju ndalon dhe ju paralajmëron që të mos e përsëritni kurrë më diçka të tillë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

[8] Allahu ju sqaron provat dhe ligjet e Tij ndaj jush, duke ju urdhëruar e ndaluar, që të dallohet ai që i bindet Allahut prej jush nga ai që shkel ligjet e Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm për ju dhe veprat tuaja, dhe secilin do e shpërblejë sipas veprës që ka bërë; dhe është i Urtë në vendosjen e ligjeve të Tij dhe rregullimin e të gjitha çështjeve.

[9] Ata të cilët duan që të përhapet vepra e turpshme dhe e ulët (imoraliteti dhe çdo vepër e shëmtuar) në mesin e besimtarëve, kanë dënim të dhembshëm në këtë botë, me zbatimin e dënimit të shpifjes mbi ta (goditja me 80 kamxhikë); dhe në botën tjetër do të jetë përgjithmonë në zjarr, nëse vdes pa u penduar. Allahu di gjithçka, dhe e di mirë gënjeshtrën dhe shpifjen e atyre që shpifën ndaj Aishes, kurse ju nuk e dini këtë, sepse ju nuk mund ta dini të fshehtën që nuk e keni parë, prandaj mos përcillni fjalë për diçka që nuk e dini prej shpifjes kundër besimtarëve, sidomos kur bëhet fjalë për gruan e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshn mbi të!), se përndryshe do të humbni e do të shkatërroheni.

[10] Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj atyre që ranë në çështjen e shpifjes ndaj Aishes, si dhe fakti që Allahu është i Butë dhe i mëshiron besimtarët me mëshirë të gjerë në këtë botë dhe në botën tjetër, nuk do jua kishte sqaruar këto rregulla e ligje që kaluan, por do ua shpejtonte dënimin atyre që ranë në të dhe atyre që kundërshtojnë urdhrin e Tij.

-351-


  1. O besimtarë! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Kushdo që ndjek gjurmët e djallit, ta dijë së ai urdhëron për vepra të shëmtuara dhe (fjalë) të këqija. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); por Allahu pastron kë të dojë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[1]
  2. Njerëzit e virtytshëm dhe të pasur midis jush të mos betohen se nuk do t’u japin më të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut (për shkak të një mëkati që bëjnë); por t’i falin dhe t’i ndjejnë ata. A nuk doni ju që Allahu t’ju falë? Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[2]
  3. Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër; dhe ata do të kenë dënim të madh,[3]
  4. Ditën kur gjuhët, duart dhe këmbët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre për atë që kanë bërë.[4]
  5. Atë ditë, Allahu do t’ua japë atyre plotësisht dënimin e merituar, dhe atëherë do ta mësojnë mirë se Allahu është i Vërteti i Qartë.[5]
  6. Të këqiat (fjalët apo gratë) janë për të këqinjtë dhe të këqinjtë janë për të këqiat. Kurse të mirat (fjalët apo gratë) janë për të mirët dhe të mirët janë për të mirat. Këta (të mirët dhe të mirat) janë të pastër nga ajo që thonë ata (të këqinjtë). Këta (të mirët) do të kenë falje dhe shpërblim bujar (në Xhenet).[6]
  7. O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e të tjerëve pa marrë leje dhe pa i përshëndetur njerëzit e shtëpisë. Kjo është më e mira për ju, që të jeni të ndërgjegjshëm![7]

[1] O besimtarë, mos ndiqni rrugët e djallit, sepse ai urdhëron për vepra të pamoralshme dhe fjalë të ulëta, dhe kush i ndjek rrugët e tij, le ta dije që ka rënë në vepra të ulëta dhe në përhapje të shpifjes dhe të së keqes. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj njerëzve, askush prej tyre nuk do të pastrohej kurrë nga ndotësia e gjynahut që bën, por Allahu pastron kë të dojë, me mirësinë e Vet. Allahu i dëgjon të gjitha fjalët tuaja dhe i di qëllimet dhe veprat tuaja; jua regjistron të gjitha që pastaj tju shpërblejë sipas tyre.

[2] Njerëzit e virtytshëm në fe, të cilëve Allahu u ka dhënë gjithashtu pasuri, në mesin tuaj, o besimtarë, të mos betohen se do e ndërpresin bamirësinë dhe lidhjen me të afërmit, të varfërit dhe mërgimtarët në rrugë të Allahut për shkak të një gjynahu që ata bëjnë; po t’ia falin gabimin dhe t’i ndjejnë ata, e të mos i dënojnë duke u ndërprerë lëmoshën, por t’ë hapin për ta faqe të re. A nuk doni ju që Allahu tju falë dhe të mos ju dënojë? Kështu që i falni ata. Dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh me robët e Tij dhe i Mëshirshëm me ta. – Kur zbriti ky ajet, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Po, sigurisht që dua që Allahu të më falë!” Dhe menjëherë ia riktheu lëmoshën e rregullt që i jepte Mistahut, djalit të tezes së tij, mërgimtar nga Meka në Medine, pjesëmarrës në luftën e Bedrit kundër idhujtarëve, i cili ra pre e ngjarjes së shpifjes për Aishen dhe e përhapte atë, dhe kur zbritën ajetet për pastërtinë e Aishes, Ebu Bekri vendosi t’ja ndërpriste lëmoshën që i jepte Mistahut, dhe po ashtu bënë edhe disa besimtarë të tjerë me ata që u bënë pjesë e përhapjes së shpifjes për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), por me zbritjen e këtij ajeti, ata i rikthyen bamirësitë e tyre ndaj atyre që gabuan dhe u penduan.

[3] Me të vërtetë, ata që i akuzojnë për imoralitet gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare që nuk e çojnë kurrë në zemër e në mendje diçka të tillë, janë të mallkuar dhe të nxjerrë nga mëshira e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata do të kenë dënim të madh në zjarrin e Xhehenemit.

[4] Ata do të kenë dënim të madh në ditën kur do t’i mohojnë të këqiat që kanë bërë në këtë botë, por atëherë Allahu do i mbyllë gojët e tyre, dhe do të bëjë që të flasin gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çdo gjë që ata kanë bërë në dynja.

[5] Atë ditë, Allahu do t’ua japë atyre plotësisht dënimin që meritojnë për shkak të veprave të tyre në dynja, dhe atëherë do ta mësojnë mirë se Allahu është i Vërteti; Ai është i Vërteti, premtimi i Tij është i vërtetë, paralajmërimi i Tij është i vërtetë, çdo gjë që ka ardhur nga Ai është e vërtetë; i Qartë në paralajmërimet dhe shpalljet e Tij. Atëherë hipokritëve dhe mohuesve do iu largohen të gjitha dyshimet që kishin në dynja, sepse tashmë e panë qartë dhe e provuan me qënien e tyre dënimin e paralajmëruar.

[6] Fjalët, veprat apo gratë e këqija e të pandershme u përshtaten burrave të këqinj e të ulët, dhe po ashtu burrat e këqinj janë për gratë e këqia, fjalët dhe veprat e këqia. Kurse gratë e mira, fjalët dhe veprat e mira janë për burrat e mirë dhe u përshtaten atyre, dhe burrat e mirë janë për gratë dhe fjalët e mira, dhe u përshtaten atyre. Këta të mirët dhe të mirat (duke filluar me Aishen dhe Safuanin që u akuzuan në ngjarjen e shpifjes së Aishes) janë të pastër nga shpifja dhe fjalët e këqia e të ulëta me të cilat akuzohen nga të këqinjtë e të këqiat, dhe për ta do të ketë falje nga Allahu dhe furnizim bujar në Xhenet.

[7] O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që zbatoni ligjet e Tij! Mos hyni në shtëpitë e të tjerëve pa kërkuar leje së pari, dhe pa i përshëndetur njerëzit e shtëpisë me fjalët: “Esselamu alejkum! A mund të hyj?” Ky kërkim i lejes dhë përshëndetja para hyrjes në shtëpitë e të tjerëve është më e mira për ju, që të jeni të ndërgjegjshëm dhe të kujtoni urdhrat dhe ligjet e Allahut në çdo vend dhe kohë, dhe t’i zbatoni ato.

-352-


  1. Nëse nuk gjeni askënd në atë shtëpi (të huaj), mos hyni derisa t’ju jepet lejë për të hyrë e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni!”, atëherë kthehuni! Kjo është më e pastër për ju. Allahu e di shumë mirë çfarë bëni ju.[1]
  2. Nuk është mëkat për ju nëse hyni në ndërtesa të pabanuara (publike), në të cilat keni ndonjë dobi. Allahu e di çfarë shfaqni e çfarë fshihni.[2]
  3. Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe të ruajnë organet e tyre gjinore (nga e ndaluara)! Kjo është më e pastër për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.[3]
  4. Dhe thuaju grave besimtare të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), të ruajnë organet e tyre gjinore (nga e ndaluara) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. T’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre veçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave apo grave të tjera, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve meshkuj që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk dinë ende për pjesët intime të femrave. Dhe të mos i përplasin këmbët e tyre që të tërheqin vëmendjen për stolitë që fshehin nën mbulesë. Dhe kthehuni tek Allahu me pendim, të gjithë ju, o besimtarë, në mënyrë që të arrini sukses![4]

[1] Nëse nuk gjeni askënd në shtëpinë e tjetrit, atëherë mos hyni, deri sa të gjeni dikë që tju japë lejë për të hyrë, e nëse nuk ju jep lejë por ju thotë të largoheni, atëherë largohuni dhe mos ngulni këmbë, sepse në këtë rast largimi është më i pastër për ju, dhe mundet që ai të ketë qënë në një gjendje që nuk dëshiron ta shohë askush prej njerëzve. Allahu është i Dijshëm për atë që bëni ju, dhe secilin do ta shpërblejë sipas veprës që bën.

[2] Nuk ka ndonjë ndalesë për ju nëse hyni pa marrë lejë në ndërtesa që nuk janë për banim privat por janë për nevoja dhe shërbime publike (si qendrat tregtare, ose ndërtesat për udhëtarët dhe nevojtarët – pra për shërbime publike), përderisa keni ndonjë dobi apo nevojë në to. Allahu e di atë që shfaqni dhe atë që fshihni, dhe e di qëllimin tuaj të hyrjes në këto ndërtesa publike.

[3] O i Dërguar! Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre nga gjërat që nuk u lejohet t’i shohin prej grave të huaja dhe organeve gjinore e vendeve të turpshme (auret) të të tjerëve, dhe të ruajnë organet e tyre gjinore nga ato që ka ndaluar Allahu prej kurvërisë, zbulimit para të tjerëve, e të ngjashme me këto. Kjo është më e pastër për ta. Allahu e di mire se çfarë bëjnë ata me shikimet dhe organet e tyre gjinore, në lidhje me urdhrat dhe ndalesat e Allahut, dhe do u japë shpërblimin apo dënimin që meritojnë.

[4] Dhe thuaju grave besimtare, o i Dërguar, që t’i ulen shikimet e tyre nga ato gjëra që Allahu ua ka ndaluar t’i shohin, dhe të ruajnë organet e tyre gjinore nga ato që Allahu i ka ndaluar prej imoralitetit apo shfaqjes para të tjerëve; dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre para burrave të huaj, por të përpiqen t’i fshehin ato me të gjitha mënyrat e mundshme, me përjashtim të rrobave të jashtme që janë të dukshme dhe që veshin zakonisht gratë besimtare; dhe mbulesat e kokës së tyre t’i lëshojnë në atë mënyrë që të mbulojnë kraharoret e tyre, duke bërë që fytyra të mbulohet gjithashtu nga mbulesa që vjen nga koka dhe mbulon kraharorin, dhe kjo është mbulesa e plotë e gruas besimtare; dhe stolitë e tyre të brendshme (nën veshjen e jashtme) të mos ia shfaqin veçse bashkëshortëve të tyre, të cilëve u lejohet të shohin gjithcka tek ato, por disa stoli si fytyra, gusha dhe krahët, apo stolitë që vendosen në këto pjesë të trupit, lejohet që t’i shfaqin edhe para baballarëve të tyre, vjehërrve të tyre, djemëve të tyre apo djemve të burrave të tyre, vëllezërve të tyre apo bijve të vëllezërve të tyre, apo bijve të motrave të tyre, apo grave të tjera muslimane, kurse para grave jomuslimane nuk lejohet t’i shfaqin këto; apo para atyre që i kanë nën zotërim prej grave apo burrave skllevër të tyre, apo para shërbëtorëve meshkuj që duan vetëm ushqim dhe nuk kanë epsh ndaj femrave, apo para fëmijëve që nuk dinë ende për auretin e grave dhe ende nuk ekziston epshi ndaj grave tek ata. Dhe gratë, të mos i kërcasin këmbët e tyre me qëllimin që të dëgjohet zhurma e stolive që kanë veshur nën petkun e sipërm, si byzylykët e kyçeve të këmbëve, apo të ngjashme. Dhe kthehuni tek Allahu, që të gjithë ju, o besimtarë, me pendim dhe bindje ndaj Tij duke zbatuar të gjitha këto virtyte të larta dhe morale të bukura, dhe i lini moralet e ulëta të kohës së injorancës, në mënyrë që të keni sukses e të fitoni në këtë botë dhe në botën tjetër.

-353-


  1. I martoni beqarët ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu do t’i begatojë ata me mirësinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi, i Gjithëdijshëm.[1]
  2. Ata që nuk kanë mundësi për martesë, të ruajnë dëlirësinë, derisa Allahu t’i begatojë me mirësinë e Tij. E nëse ndonjëri nga skllevërit që keni në zotërim ju kërkon kontratë për të blerë lirinë e vet, bëjani të mundur këtë, nëse e dini që janë të aftë e të mirë (të jetojnë të lirë dhe me ndershmëri), dhe jepuni diçka nga pasuria e Allahut që u ka dhënë juve. Dhe mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ndonjë përfitim të përkohshëm të kësaj bote, përderisa ato dëshirojnë të jenë të ndershme. E nëse ndokush i detyron ato, atëherë pas një detyrimi të tillë, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë për to.[2]
  3. Ne ju kemi zbritur shpallje të qarta, shembuj nga ata që kanë kaluar para jush dhe mësim për ata që i frikësohen Allahut.[3]
  4. Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga vaji i një peme të bekuar ulliri, as lindor, as perëndimor, i cili thuajse shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë. Allahu i sjell shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[4]
  5. (Ajo dritë shkëlqen) Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet në to Emri i Tij, dhe ku Atë e lavdërojnë (me namaz) në mëngjes dhe mbrëmje;[5]

[1] I martoni beqarët meshkuj e femra ndër ju, o besimtarë, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja beqarë që janë besimtarë të mirë e të ndershëm. Nëse ata që duan të martohen prej tyre janë të varfër, Allahu do ta pasurojë atë nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Gjerë në mirësi dhe furnizim, Bujar i Madh, i Gjithëdijshëm me gjendjet e robërve të Tij.

[2] Ata të cilët nuk kanë mundësi të martohen, qoftë për shkak të varfërisë apo shkaqe të tjera, le të ruajnë dëlirësinë dhe të mos shkelin ndalesat e Allahut, derisa Allahu t’i begatojë ata nga mirësitë e Tij dhe t’ua lehtësojë martesën. Nëse ndonjë skllevërit që keni në zotërim duan të lirohen me një kontratë lirimi kundrejt një shume të caktuar që do ua paguajnë juve, atëherë jepjani këtë mundësi dhe nënshkruajeni kontratën me ta, nëse e dini se ata janë të aftë për të jetuar të lirë (janë të pjekur, dinë të fitojnë për të jetuar dhe janë besimtarë të mirë), dhe jepuni diçka nga pasuria që ju ka dhënë Allahu, apo nga zekati, apo i falni diçka nga shuma e caktuar në kontratë. Dhe mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të përfitoni diçka të përkohshme të kësaj bote, përderisa ato duan të jenë të ndershme; kjo do të ishte shumë e ulët për ju! Por nëse ndokush i detyron ato për kurvëri, atëherë pas një detyrimi të tillë, Allahu është Falës i Madh për to dhe Mëshirëplotë me to, kurse mëkati do të bjerë mbi ata që i detyrojnë ato.

[3] Ne ju kemi zbritur juve, o njerëz, ajetet e Kuranit, që janë prova të qarta të së vërtetës; dhe ju kemi treguar shembuj nga historitë e popujve të mëparshëm, qofshin besimtarë apo mohues, dhe se çfarë u ka ndodhur atyre, në mënyrë që të jenë mësim për ju dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut dhe dënimit të Tij.

[4] Allahu është Drita e qiejve dhe Tokës; Ai rregullon çështjet e tyre dhe udhëzon banorët e tyre; Allahu është Dritë dhe perdja e Tij është Dritë – me Dritën e Tij ndriçohen qiejt dhe Toka, dhe gjithçka gjendet në to. Libri i Allahut (Kurani) dhe udhëzimi i Tij është Dritë prej Tij. Sikur të mos ishte Drita e Allahut, errësirat do të grumbulloheshin njëra mbi tjetrën. Shembulli i Dritës në të cilën udhëzon Allahu – besimi dhe Kurani në zemrën e besimtarit – i ngjan një kamareje (vend i hapur në murin e një shtëpie, zakonisht në të dyja anët e  oxhakut, ku mbahen enë e sende të vogla që përdoren përditë), në të cilën ndodhet një llambë, dhe kështu kamareja e mban dritën e llambës në një vend dhe nuk e lë të shpërndahet e të dobësohet; Llamba është në një kristal, dhe nga pastërtia dhe transparenca, kristali është si një yll shumë i ndritshëm. Llamba ndizet nga vaji i një peme të bekuar ulliri, as lindore, as perëndimore – por me origjinë mesdhetare, as në lindje të Tokës, as në perëndim të saj; vaji i saj thuajse shkëlqen edhe pa e prekur zjarri, nga pastërtia e madhe, por kur e prek zjarri, ka një shkëlqim shumë të madh. Dritë mbi dritë – dritë nga shkëlqimi i vetë vajit mbi dritën e ndezjes së vajit; kështu është udhëzimi që shkëlqen në zemrën e besimtarit. Allahu udhëzon dhe i jep sukses në zbatimin e Kuranit kujt të dojë. Allahu i sjell shembuj njerëzve, në mënyrë që t’i kuptojnë provat dhe urtësitë e Tij. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë, në të gjitha shembujt që sjell dhe për çdo gjë; asgjë nuk i shpëton dijes së Tij.

[5] Drita e llampës me vaj ulliri shkëlqen nëpër xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen për t’u përmendur në to Emri i Tij, me leximin e Kuranit, namazin dhe përmendjen e Allahut, dhe ku Atë e lavdërojnë me falje (namaz) mëngjes e mbrëmje…

-354-


  1. Burra, të cilët nuk i shpërqendron, as blerje, as shitje nga përmendja e Allahut, falja e namazit dhe dhënia e zekatit, dhe të cilët kanë frikë Ditën kur zemrat dhe shikimet do të dridhen;[1]
  2. Duke shpresuar që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij. Allahu furnizon kë të dojë pa masë.[2]
  3. Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si një mirazh në shkretëtirë, të cilin i eturi e kujton për ujë, por kur arrin tek ai, nuk e gjen të jetë asgjë. Por atje gjen Allahun, i Cili do ia paguajë llogarinë e tij të plotë. E Allahu është i shpejtë në llogari.[3]
  4. Ose (veprat e tyre) janë si errësirat në një det të thellë, të mbuluar nga dallgë që ngrihen njëra mbi tjetrën, dhe sipër tyre janë retë e errëta; shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa nëse dikush e nxjerr dorën e vet, pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë kurrë dritë.[4]
  5. A nuk e sheh ti, se Allahun e lavdëron çdokush që ndodhet në qiej dhe në Tokë, madje edhe zogjtë krahëhapur?! Secili prej tyre e di instiktivisht se si t’i falet e ta lavdërojë Atë. Allahu e di mirë gjithçka që bëjnë ata.[5]
  6. Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe vetëm tek Ai është kthimi.[6]
  7. A nuk e sheh se Allahu i drejton retë butësisht, pastaj i bashkon ato, pastaj i grumbullon njëra mbi tjetrën, dhe atëherë sheh shiun se si del prej tyre?! Dhe Ai zbret nga qielli, nga disa male në të, diçka nga breshëri, me të cilin godet kë të dojë, dhe e shmang prej kujt të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së reve gati sa nuk ta merr shikimin.[7]

[1] Në xhamitë që Allahu ka urdhëruar të ngrihen, falen mëngjes e mbrëmje, burra, të cilët nuk ua heq mendjen, as blerja, as shitja, nga përmendja e Allahut, falja e namazit dhe dhënia e zekatit atyre që u takon, dhe të cilët kanë frika nga Dita e Kiametit në të cilën zemrat do të dridhen dhe rrotullohen mes shpresës për shpëtim dhe frikës nga humbja, kurse sytë rrotullohen të shohin se ku do të përfundojnë, djathtas apo majtas…

[2] Duke shpresuar që Allahu t’u japë shpërblimin e veprave të tyre më të mira që kanë bërë në dynja, dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij e t’ua shumëfishojë shpërblimin. Padyshim se Allahu i jep kujt të dojë pa masë e llogari, madje jep shpërblim që veprat nuk do e arrinin kurrë, sado të mira të ishin, pa masë e pa numër.

[3] Sa për ata që e mohojnë Allahun dhe e përgënjeshtrojnë të Dërguarin e Tij, veprat e tyre të mira që mendonin se do u bënin dobi në botën tjetër – si ruajtja e lidhjeve me të afërmit, çlirimi i skllevërve, etj. – janë si një mirazh në shkretëtirë, të cilin i eturi e kujton se është ujë, por kur arrin tek ai, nuk e gjen të jetë asgjë. Kështu mendon jobesimtari, se veprat e tij do i bëjnë dobi në botën tjetër, por kur të vijë llogaria e tij, do të shohë se veprat e tij nuk do të kenë asnjë shpërblim, për shkak të mosbesimit të tij, por atje do të gjejë Allahun në pritë, për t’i dhënë shpërblimin e plotë të veprave të tij sipas asaj që meriton. Padyshim se Allahu është i shpejtë në llogari. Prandaj, të mos e kërkojnë injorantët përshpejtimin e këtij premtimi, se ai do të vijë shumë shpejt, dhe është për të keqen e tyre.

[4] Ose, veprat e mohuesve, janë si errësirat në një det të thellë, mbi të cilin ka dallgë të larta që ngrihen njëra mbi tjetrën, dhe mbi to qëndrojnë retë e errëta e të dendura; shtresa errësire njëra mbi tjetrën, sa që nëse dikush do të nxirrte dirën e vet, thuajse nuk do e shihte atë për shkak të errësirës së pustë; po kështu i janë grumbulluar mosbesimtarëve errësirat e idhujtarisë, mohimit, humbjes dhe veprave të tyrë të këqia e të prishura. Padyshim, se atij që Allahu nuk i jep dritë nga Libri i Tij dhe nga Suneti i të Dërguarit të Tij, në mënyrë që të udhëzohet me to, ai kurrë nuk do të ketë dritë dhe kurrë nuk do të udhëzohet në Rrugën e Drejtë.

[5] A nuk sheh ti me syrin e zemrës, o Muhamed, dhe ta dish se Allahun e lavdëron dhe Atij i drejtohen me falje dhe adhurim çdokush që ndodhet në qiej e në Tokë prej engjëjve, njerëzve dhe xhinëve, madje edhe zogjtë që fluturojnë krahëhapur në qiell. Secila krijesë e di nga instikti që i ka dhënë Allahu se si të falet dhe si ta lavdërojë Allahun. Allahu e di mirë se çfarë bën secili prej krijesave të Tij, asgjë nuk i shpëton dijes së Tij, dhe secilit do i japë shpërblimin sipas veprave që bën.

[6] Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës, dhe i gjithë pushteti është vetëm i Allahut, dhe vetëm tek Allahu është kthimi i fundit në Ditën e Kiametit, ku do të shpërblejë secilin për veprën e tij në dynja; prandaj adhurojeni Atë sa më mirë, përpiquni fort në bindjen ndaj Tij dhe përgatisni vepra të mira për vetet tuaja në botën tjetër!

[7] A nuk e sheh se Allahu i drejton retë butësisht nga të dojë, pastaj i bashkon, pastaj i grumbullon njëra mbi tjetrën dhe nga mesi i tyre sheh të dalë shiu e të bjerë në Tokë. Dhe Allahu zbret nga qielli, nga disa male akulli që i ka krijuar atje lart në qiell – ose me kuptim figurativ: nga disa re që janë si male – zbret diçka nga breshëri (dhe jo të gjithë atë, dhe jo shumë, por vetëm pak prej tij, sipas Urtësisë dhe Caktimit të Tij), me të cilin godet kë të dojë për ta shkatërruar e dëmtuar, dhe e shmang atë prej kujt të dojë, për të mos i dëmtuar të mbjellat dhe pasuritë e tyre. Shkëlqimi i fortë i vetëtimës së reve gati sa nuk ua merr shikimin atyre që e shohin atë. A nuk e shihni madhështinë dhe fuqinë e Allahut?!

-355-


  1. Allahu e ndërron ditën dhe natën. Me të vërtetë, në këto ka mësim për ata që janë mendjemprehtë.[1]
  2. Allahu e ka krijuar çdo gjallesë të Tokës nga uji; disa prej tyre zvarriten mbi barkun e tyre, disa ecin mbi dy këmbë dhe disa ecin mbi katër këmbë. Allahu krijon çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.[2]
  3. Ne kemi zbritur prova që sqarojnë të vërtetën; por vetëm Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.[3]
  4. Ata (hipokritët) thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në të Dërguarin dhe u bindemi atyre.” Pastaj, një grup prej tyre kthen shpinën; sigurisht që këta nuk janë aspak besimtarë.[4]
  5. Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, një grup prej tyre kthejnë shpinën.[5]
  6. Por, nëse e drejta është në favorin e tyre, ata vijnë tek ai (i Dërguari) të përulur.[6]
  7. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre, apo janë në dyshim? Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët.[7]
  8. Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.[8]
  9. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ka frikë Allahun dhe i përkushtohet Atij, këta janë të fituarit e vërtetë.[9]
  10. Ata (hipokritët) betohen në Allahun me betimet më solemne, se nëse ti (o Muhamed) do t’i urdhëroje ata që të dilnin në luftë – ata me siguri do të dilnin. Thuaju: “Mos u betoni! Bindja juaj është e njohur tashmë! Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që ju bëni.”[10]

[1] Nga provat e Fuqisë së Allahut është edhe se Ai ndërron natën dhe ditën, duke i sjellë njëra pas tjetrës dhe duke i ndryshuar vazhdimisht në gjatësi apo shkurtësi (nata i merr ditës dhe dita i merr natës). Vërtet, në të gjitha këto që kaluan ka mësim për ata që janë mendjemprehtë dhe i kapin dhe i kuptojnë gjërat shpejt; të cilët e kuptojnë se këto dukuri kanë Një Rregullues, Veprues dhe Krijues të Pashoq.

[2] Allahu e ka krijuar çdo gjallesë që lëviz mbi Tokë nga uji (nga fara, apo sperma); uji është origjina e krijimit të Allahut. Disa prej këtyre gjallesave ecin duke u zvarritur me barkun e tyre (zvarranikët, si hardhuca, gjarpri, breshka, etj.), disa ecin me dy këmbë (si njeriu) dhe disa ecin me katër këmbë (si kafshët shtëpiake dhe të egra). Allahu krijon çfarë të dojë dhe Ai ka Fuqi për çdo gjë.

[3] Ne kemi zbritur në Kuran prova të qarta që udhëzojnë drejt të vërtetës, por vetëm Allahu është Ai që udhëzon kë të dojë nga robërit e Tij në rrugën e drejtë të Islamit.

[4] Hipokritët thonë: “Ne e besojmë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe u bindemi atyre për ato që urdhërojnë apo ndalojnë.” Por më pas, disa prej tyre kthejnë shpinën dhe nuk e pranojnë gjykimin e të Dërguarit; epo këta nuk janë aspak besimtarë ashtu si thonë.

[5] Dhe kur hipokritët thirren për të gjykuar sipas Librit të Allahut dhe gjykimit të Dërguarit të Allahut për mosmarrëveshjet e tyre, disa prej tyre kthejnë shpinën duke mos e pranuar këtë gjykim, megjithëse ky është gjykimi i drejtë për të cilin nuk ka pikë dyshimi.

[6] Nëse e drejta është në anën e tyre, hipokritët vijnë tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të bindur dhe të nënshtruar plotësisht para gjykimit të tij, sepse e dinë që ai gjykon me drejtësi.

[7] A mos është kthimi i spinës që ata bëjnë për shkak të sëmundjes së hipokrizisë që kanë në zemrat e tyre, apo kanë dyshim në profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? Apo ndoshta e kanë nga frika se mos gjykimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij është i padrejtë?! Jo, nuk kanë frikë nga padrejtësia që mund t’u bëhet, por shkaku është se pikërisht ata janë të padrejtët zullumqarë.

[8] Sa i përkat besimtarëve të vërtetë, kur ata thirren për të gjykuar mes mosmarrëveshjeve të tyre tek Libri i Allahut dhe gjykimi i të Dërguarit të Tij, ata menjëherë pranojnë dhe përgjigja e tyre e vetme është: “E dëgjojmë atë që na thuhet dhe i bindemi të Dërguarit që na thirri për këtë!” Pikërisht këta janë të shpëtuarit dhe të fituarit e asaj që kërkojnë në kopshtet e Xhenetit të përhershëm të Zotit të tyre që ka përgatitur për ta.

[9] Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij në urdhra e ndalesa, që ka frikë pasojat e mosbindjes dhe dënimin e Allahut, këta janë të fituarit e vërtetë, të cilët do të fitojnë kënaqësitë e përhershme të Xhenetit.

[10] Hipokritët betohen në Allahun me betimet më solemne, se nëse ti, o Muhamed, do i urdhëroje ata që të dilnin në luftë bashkë me ty dhe besimtarët, patjetër që ne do të dilnim në luftë me ty. Thuaju atyre: «Mos u betoni rrejshëm, se bindja juaj është e njohur tashmë – vetëm me fjalë por jo me vepra. Padyshim se Allahu e di mirë se çfarë bëni ju, dhe do tju shpërblejë sipas asaj që bëni.

-356-


  1. Thuaju (njerëzve): “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit! Nëse ktheni shpinën, (ta dini se) ai është përgjegjës vetëm për detyrën e tij, ndërsa ju për detyrën tuaj. E nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë. Detyra e të Dërguarit është vetëm ta përcjellë qartë mesazhin (Hyjnor).”[1]
  2. Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë trashëgimtarë në Tokë, ashtu siç i bëri ata para tyre dhe do ta forcojë fenë e tyre, që Ai ka zgjedhur për ta dhe frikën e tyre do ta shndërrojë në siguri, me kusht që të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Kushdo që mohon pas kësaj, pikërisht ata janë të mbrapshtët.[2]
  3. Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, në mënyrë që të mëshiroheni![3]
  4. Kurrsesi mos mendo se mohuesit do të na shpëtojnë në Tokë! Streha e tyre përfundimtare do të jetë zjarri; Vërtet, sa strehë e shëmtuar që është ai![4]
  5. O besimtarë! Robërit që keni nën zotërim dhe fëmijët që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të sabahut, kur i hiqni rrobat në mesditë (për të pushuar) dhe pas namazit të darkës. Këto janë tri kohë privatësie për ju. Nuk ka gjynah as për ju e as për ata që, pas këtyre kohëve, të hyjnë tek ju dhe të lëvizni lirshëm tek njëri-tjetri (pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet! Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[5]

[1] Thuaju njerëzve, o i Dërguar: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit të Tij! Nëse ktheni shpinën, ta dini se detyra e të Dërguarit është vetëm të përcjellë mesazhin e Allahut, kurse detyra e të gjithë juve është që t’i bindeni dhe të zbatoni urdhrin e Allahut, përndryshe do të përfundoni në Xhehenem. E nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë dhe do të fitoni Xhenetin. Detyra e të Dërguarit është vetëm ta përcjellë qartë mesazhin e Allahut.

[2] Allahu i ka premtuar fitore atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira prej jush, se do t’i bëjë trashëgimtarë të tokës së idhujtarëve dhe mohuesve, ashtu si i bëri trashëgimtarë të tokës paraardhësit e tyre besimtarë, do e forcojë dhe do e ngrejë lart fenë e tyre Islame që Ai e ka zgjedhur për ta, dhe frikën e tyre do e shndërrojë në siguri, por me kushtin që të më adhurojnë vetëm Mua, të jenë të qëndrueshëm në bindjen ndaj Meje dhe të mos më shoqërojnë asgjë në adhurim. Kushdo që mohon mirësinë e Allahut pas këtij premtimi dhe kësaj trashëgimie, pushteti e sigurie, pikërisht ata janë të mbrapshtët e pabindur, të dalë nga bindja ndaj Allahut, të cilët meritojnë dënimin e Tij.

[3] Dhe falni namazin të plotë dhe mos humbni asgjë prej tij, jepni zekatin e pasurisë tuaj atyre që u takon, dhe bindjuni të Dërguarit të Zotit tuaj për gjithçka ju urdhëron apo ndalin, në mënyrë që të mëshiroheni nga Zoti juaj dhe të shpëtoni nga dënimi i Tij.

[4] Kurrësesi mos mendo – o i Dërguar dhe ju o besimtarë – se mohuesit do t’i shpëtojnë Allahut në Tokë, se Allahu ka fuqi për t’i shkatërruar ata në çdo çast, por i lë ata deri në afatin e tyre të caktuar nga Allahu, pastaj streha e tyre përfundimtare dhe e vetme do të jetë zjarri i Xhehenemit. Vërtet, sa stresë e shëmtuar është ajo ku do të përfundojnë ata.

[5] O besimtarë! Urdhërojini robërit dhe robëreshat tuaja, si dhe fëmijët e lirë që nuk kanë mbushur ende moshën e pubertetit, që të marrin leje për të hyrë në dhomën tuaj në tri kohët e privatësisë tuaj: para namazit të sabahut (sepse jeni ende me teshat e gjumit), kur hiqni rrobat në kohën e pushimit të mesditës pas faljes së namazit të drekës, dhe pas namazit të darkës, kur do të hiqni rrobat për të shkuar në shtrat. Këto janë tri kohë privatësie për ju, kështu që nëse dikush kërkon të hyjë tek ju në këto kohë, duhet të trokasë e të kërkojë leje para se të hyjë. Kurse pas këtyre kohëve, nuk ka gjynah as për ju dhe as për ata që të hyjnë tek ju për nevojat apo punët që kanë, pa ju kërkuar leje. Kështu si jua sqaron Allahu rregullat e kërkimit të lejes për hyrjen në dhomë, po kështu jua sqaron të gjitha shpalljet, provat dhe ligjet e fesë së Tij. Allahu e di mirë se çfarë është më e mirë për krijesat e Tij, i Urtë në rregullimin e çështjeve të tyre.

-357-


  1. Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje për të hyrë, ashtu si kërkojnë leje ata para tyre (të rriturit). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij! Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[1]
  2. Sa për gratë e vjetra, që nuk shpresojnë më të martohen, nuk është gjynah ta heqin mbulesën e jashtme, por pa i zbuluar stolitë e tyre. E nëse përmbahen, është më mirë për to. Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.[2]
  3. Nuk është gjynah për të verbrin, as për të gjymtuarin, as për të sëmurin dhe as për ju që të hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e baballarëve tuaj, ose në shtëpitë e nënave tuaja, ose në shtëpitë e vëllezërve tuaj, ose në shtëpitë e motrave tuaja, ose në shtëpitë e xhaxhallarëve tuaj, ose në shtëpitë e hallave tuaja, ose në shtëpitë e dajave tuaj, ose në shtëpitë e tezeve tuaja, ose të atyre që ju kanë lënë çelësat e shtëpisë së tyre, ose të ndonjë shokut tuaj. Nuk është gjynah për ju që të hani së bashku apo ndaras. Kur të hyni në shtëpi, përshëndeteni njëri-tjetrin me përshëndetje (paqeje) nga Allahu, të bekuar e të bukur. Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet, në mënyrë që të kuptoni.[3]

[1] Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, moshë kur u bëhen të detyrueshme rregullat e sheriatit, duhet të kërkojnë leje për të hyrë në dhomën tuaj, në çdo kohë që të jetë, ashtu si kërkojnë leje të rriturit. Kështu si jua sqaron Allahu rregullat e kërkimit të lejes për të hyrë te njëri-tjetri, po kështu jua sqaron të gjitha shpalljet e Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që është e mirë për robërit e Tij, i Urtë në vendosjen e rregullave dhe ligjeve të Tij.

[2] Sa u përket grave të moshuara, të cilat nuk kanë më dëshira martesore për shkak të moshës së tyre të kaluar, dhe as burrat nuk shohin tek ato gjëra të tilla, nuk është gjynah për këto gra të moshuara që ta heqin petkun e jashtëm në rast se shohin se i rëndon apo i mundon, por pa zbuluar stolitë e tyre të brendshme. Por gjithësesi, që t’i mbajnë veshur rrobat e jashtme në sy të të tjerëve në shenjë morali dhe pastërtie, është më e mirë për to. Allahu i dëgjon të gjitha fjalët tuaja dhe i di mirë të gjitha qëllimet dhe veprat tuaja.

[3] Nuk është gjynah për njerëzit me aftësi të kufizuara: si i verbëri, i gjymtuari apo i sëmuri, dhe as për ju – o besimtarë të shëndetshëm – nuk është gjynah që të hani në shtëpitë e fëmijëve tuaj, ose në shtëpitë e baballarëve tuaj, nënave tuaja, vëllezërve tuaj, motrave tuaja, xhaxhallarëve tuaj, hallave tuaja, dajave tuaj, tezeve tuaja, ose në shtëpitë e atyre që ju kanë besuar çelësat e shtëpisë në mungesë të tyre, ose në shtëpitë e shokëve tuaj. Nuk është gjynah nëse hani së bashku apo veç e veç (pavarësisht klasës që i përket secili, prej pasurisë apo varfërisë, profesionit apo lirisë). Kur hyni në një shtëpi të banuar apo të pabanuar, përshëndesni njëri-tjetrin me përshëndetjen Islame (esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu) – ose (esselamu alejna ue ala ibadilahi es salihin), nëse në atë shtëpi nuk ka njeri. Këtë përshëndetje e ka urdhëruar Allahu, dhe ajo është një përshëndetje e begatë dhe e bukur, e cila mbjell siguri dhe dashuri mes atyre që e thonë. Më shpjegime të tilla jua sqaron Allahu shpalljet dhe fenë e Tij, në mënyrë që të kuptoni dhe të zbatoni.

-358-


  1. Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilët kur janë me të (të Dërguarin) në një punë kolektive, nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij. Me të vërtetë, ata që kërkojnë leje prej teje (o Muhamed), janë ata që besojnë vërtet në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kur të kërkojnë leje për ndonjë çështje të tyre, jepi leje kujt të duash dhe kërko për ta falje nga Allahu. Vërtet, Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[1]
  2. Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që i bëni njëri-tjetrit. Allahu i di mirë ata që largohen prej jush tinëzisht, duke u fshehur pas të tjerëve. Të jenë të kujdesshëm ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i godasë ndonjë sprovë apo t’i godasë ndonjë dënim i dhembshëm.[2]
  3. Pa dyshim, Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai e di mirë se çfarë bëni ju, dhe në Ditën kur të gjithë do të kthehen tek Ai, do t’i njoftojë për atë që kanë punuar. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë![3]

[1] Besimtarë të vërtetë janë ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që zbatojnë fenë dhe sheriatin e Tij; dhe të cilët, kur janë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në ndonjë punë kolektive në interes të shoqërisë muslimane, nuk largohen pa i marrë leje të Dërguarit. Pikërisht këta që të kërkojnë leje – o i Dërguar – janë ata që besojnë vërtet në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëse dikush prej tyre të kërkon leje që të largohet për ndonjë çështje personale, jepi leje kujt të duash prej tyre dhe kërko falje për ta nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh i robërve që i kthehen Atij të penduar, Mëshirëplotë ndaj tyre.

[2] Kur e thirrni të Dërguarin, o ju besimtarë, mos e thirrni atë në emër, ashtu si thirrni njëri-tjetrin, por e thirrni me respekt dhe edukatë: «O i Dërguari i Allahut!» Allahu i di mirë hipokritët që largohen tinëzisht nga tubimi i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), pa i marrë leje atij, por duke u fshehur pas të tjerëve apo pas diçkaje, dhe duke u larguar fshehurazi. Të kenë kujdes ata që kundërshtojnë urdhrin e të Dërguarit të Allahut, se mos i godet ndonjë sprovë dhe fatkeqësi, ose se mos i godet dënim i dhembshëm dhe i madh në botën tjetër.

[3] Me të vërtetë, Allahu i përket gjithçka gjendet në qiej e në Tokë – Ai i ka krijuar, Ai i zotëron, vetëm Atij i përket adhurimi. Ai e di shumë mirë çfarë bëni ju dhe në çfarë gjendje jeni prej besimit apo hipokrizisë, dhe në Ditën kur të gjithë do të kthehen tek Ai për dhënien e Llogarisë dhe për marrjen e shpërblimit, do ta njoftojë secilin për atë që ka punuar në dynja, dhe do t’i japë secilit shpërblimin që i takon. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë, dhe asnjë vepër apo gjendje e krijesave të Tij nuk i shpëton Atij.

-359-