SURJA EL MU’MINUN – BESIMTARËT

(Surja Nr. 23, Mekase, 118 ajete)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Me të vërtetë, kanë fituar besimtarët:[1]
  2. Ata të cilët janë të përulur në namazin e tyre;[2]
  3. Ata të cilët shmangen nga e kota;[3]
  4. Ata të cilët japin zekatin;[4]
  5. Ata të cilët i ruajnë organet e tyre seksuale (nga e ndaluara),[5]
  6. përveçse me gratë e tyre ose me robëreshat që kanë në zotërim – për këtë nuk qortohen,[6]
  7. por ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës të kufijve;[7]
  8. Dhe (besimtarë janë) ata të cilët i ruajnë amanetet dhe marrëveshjet e tyre;[8]
  9. Dhe ata të cilët i ruajnë mirë faljet e tyre.[9]
  10. Pikërisht këta janë trashëgimtarët,[10]
  11. të cilët do të trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[11]
  12. Me të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një ekstrakt balte.[12]
  13. Pastaj e bëmë atë (njeriun) një pikë farë që vendoset në një vend të sigurt (mitër).[13]
  14. Pastaj, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku të ngjitshme; droçkën e gjakut e bëmë llokmë mishi; llokmën e mishit e bëmë eshtra dhe eshtrat i veshëm me mish, pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (me shpirt). I Lartësuar dhe i Bekuar është Allahu, Krijuesi më i mirë![14]
  15. Pastaj, pas kësaj, ju me siguri që do të vdisni,[15]
  16. pastaj, me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.[16]
  17. Me të vërtetë, Ne kemi krijuar mbi ju shtatë shtresa (qiej), dhe nuk jemi kurrë të pavëmendshëm ndaj krijimit Tonë.[17]

[1] Me të vërtetë, kanë fituar (atë që kërkojnë nga Allahu; kanë arritur sukses dhe ia kanë dalë mbanë, në të dyja botët) ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), si dhe zbatojnë fenë e Tij. Dhe nga cilësitë e tyre janë këto që përmenden në ajetet në vijim:

[2] – Ata të cilët janë të përulur ndaj Allahut në namazin e tyre, dhe falen me frikërespekt dhe përkushtim ndaj Allahut;

[3] – Ata të cilët i shmangen të gjitha fjalëve apo veprave të kota dhe të padobishme;

[4] – Ata të cilët pastrojnë veten dhe pasurinë e tyre me dhënien e Zekatit atyre që u takon;

[5] – Ata të cilët i ruajnë organet e tyre seksuale nga mëkati dhe gjithçka që ka ndaluar Allahu prej gjërave të turpshme – ku përfshihet edhe vetëkënaqësia apo masturbimi,

[6] Përveç marrënieve seksuale dhe kënaqjes me gratë e tyre apo me robëreshat që kanë në zotërim, për këtë nuk qortohen dhe nuk kanë asnjë gjynah, sepse Allahu ua ka bërë të lejuara këto;

[7] Por ata që kërkojnë kënaqësi përtej bashkëshortes apo robëreshës së vet, këta i kanë kaluar kufijtë e të lejuarës dhe kanë shkelur në të ndaluarën, duke e vënë vetveten në rrezikun e ndëshkimit të Allahut dhe zemërimit të Tij;

[8] – Ata të cilët i mbajnë amanetet që kanë marrë përsipër dhe i përmbushin të gjitha besëlidhjet dhe marrëveshjet e tyre me të tjerët.

[9] – Ata të cilët e ruajnë me kujdes të veçantë kryerjen e faljeve të tyre në kohën e vet dhe në mënyrën e saktë e të ligjëruar nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[10] Pikërisht këta që kanë këto cilësi në këtë botë, këta janë trashëgimtarët në botën tjetër,

[11] Trashëgimtarë të cilët do të trashëgojnë Firdeusin, kopshtin më të lartë dhe në mes të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë të lumtur e në kënaqësi të pafund.

[12] Ne e krijuam njeriun e parë, Ademin, nga një ekstrakt balte i përfituar nga të gjitha llojet e dheut të Tokës.

[13] Pastaj i krijuam pasardhësit e Ademit nga një pikë sperme që vendoset në një vend të sigurt, në mitrën e gruas, deri sa të vijë koha e lindjes së tyre.

[14] Pastaj, pikën e spermës e bëmë një droçkë gjaku të kuqe dhe të ngjitshme, që i ngjan shushunjës; pas dyzet ditëve, këtë droçkë gjaku e bëmë copë mishi sa një llokmë; këtë llokmë mishi të butë e shndërruam në eshtra dhe eshtrat i veshëm me mish, pastaj e bëmë atë një krijesë të re me shpirt. I Lartësuar dhe i Bekuar është Allahu, Krijuesi më i mirë, i Cili e ka përsosur krijimin e çdo gjëje që ka krijuar dhe përveç të Cilit nuk ka asnjë krijues tjetër që të krijojë nga asgjëja.

[15] Pastaj, pas kalimit të fazave të krijimit dhe të jetës suaj, o njerëz, juve do t’ju vijë vdekja dhe do të vdisni.

[16] Pastaj, pas vdekjes suaj dhe pasi të mbarojë jeta në këtë botë, ju do të ringjalleni në Ditën e Kiametit nga varret tuaja dhe do të jeni përsëri të gjallë, për të dhënë llogarinë tuaj dhe për të marrë shpërblimin që meritoni.

[17] Ne kemi krijuar mbi ju, o njerëz, shtatë shtresa qiejsh mbi njëri-tjetrin, dhe nuk jemi kurrë të pavëmendshëm dhe të pakujdesshëm ndaj krijimit Tonë: nuk harrojmë asnjë nga krijesat Tona dhe nuk i lëmë qiejtë të bien mbi ju e t’ju shkatërrojnë, por kujdesemi për gjithçka që kemi krijuar.

-342-


  1. Ne zbresim ujë nga qielli në masë të caktuar, dhe e depozitojmë atë në Tokë. Dhe sigurisht, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.[1]
  2. Nëpërmjet tij (shiut), Ne kultivojmë për ju kopshte palmash dhe vreshtash, në të cilat ka fruta të bollshme dhe nga të cilat ju mund të hani;[2]
  3. si dhe pemën (e ullirit) që rritet në malin e Sinait, e cila prodhon vaj dhe mëlmesë për t’u ngrënë.[3]
  4. Vërtet, edhe te bagëtitë ka mësim për ju: Ne ju japim të pini nga ai (qumështi) që gjendet në barkun e tyre dhe në to (bagëtitë) ka shumë dobi për ju; prej tyre ju hani;[4]
  5. si dhe mbarteni mbi ato (kafshët) dhe mbi anije.[5]
  6. Vërtet, Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk keni frikë (nga dënimi i Tij)?”[6]
  7. Por krerët që mohuan nga populli i tij thanë: “Ky nuk është veçse një njeri, ashtu si edhe ju, dhe do vetëm të ketë privilegj mbi ju. Sikur të kishte dashur Allahu, do të dërgonte engjëj. Nuk kemi dëgjuar diçka të tillë nga të parët tanë të hershëm.[7]
  8. Ai (Nuhu) nuk është veçse një njeri i çmendur, kështu që prisni për njëfarë kohe!”[8]
  9. Ai (Nuhu) tha: “Zoti im! Më ndihmo, sepse ata më përgënjeshtruan!”[9]
  10. Atëherë Ne i shpallëm atij (Nuhut): “Ndërto anijen nën Sytë Tanë (vështrimin) dhe frymëzimin Tonë. Kur të vijë urdhri Ynë dhe uji të vërshojë nga furra e bukës, ngarko në anije nga një çift prej çdo lloj gjallese dhe familjen tënde, përveç atyre për të cilët është miratuar dekreti që më parë (për t’u mbytur), dhe mos M’u lut për ata që kanë bërë padrejtësi, sepse me të vërtetë, ata do të mbyten.[10]

[1] Ne zbresim shi nga qielli në masën e duhur, sipas nevojës së krijesave – përveç kur e zbresim me dënim – dhe e depozitojmë ujin e shiut në Tokë – që njerëzit apo bimët ta përdorin sipas nevojës, si dhe që të ndodhë cikli i formimit të shiut dhe zbritja e tij në vende të tjera, sipas Urdhrit të Allahut. Dhe sigurisht, që Ne jemi në gjendje ta largojmë tërësisht ujin e depozituar në Tokë dhe ju, o njerëz, bashkë me bagëtitë dhe të mbjellat tuaja të vdisni nga etja. Ky është kërcënim për ata që vazhdojnë në mosbesim dhe mëkate në Tokë, dhe kujtim për besimtarët që të jenë mirënjohës ndaj mirësive të Allahut, siç është shiu.

[2] Nëpërmjet ujit të shiut, Ne bëjmë që të rriten e kultivohen për ju kopshte palmash të hurmave arabe dhe vreshta rrushi, të cilat prodhojnë fruta të shumta e të llojeve të ndryshme (në ngjyrë, përmasë apo shije), nga të cilat ju hani dhe shijoni. Këto dy pemë kanë qenë më të njohurat në tokën e arabëve, ku edhe zbriti Kurani, prandaj janë përmendur pikërisht këto të dyja, për t’u kujtuar atyre mirësitë e Allahut, në mënyrë që ata të jenë mirënjohës ndaj mirësive që Ai u ka dhënë.

[3] Nëpërmjet ujit të shiut kultivojmë për ju edhe pemën e ullirit që rritet në malin Turi Sinai – në Palestinë apo Egjipt – nga frutat e të cilës (ullinjtë) nxirret vaj që përdoret për të lyer bukën dhe për gjellën që ju hani e shijoni, dhe që është e shëndetshme për ju. A nuk po falënderoni Zotin tuaj?

[4] Vërtet, për ju o njerëz, ka mësim edhe te bagëtitë që kemi krijuar për ju: Ne ju japim të pini nga qumështi që gjendet në barqet e tyre dhe në to ju keni shumë dobi të tjerë, si leshi dhe lëkura, si dhe hani nga mishi i tyre.

[5] Si dhe mbarteni dhe mbartni mallrat tuaja mbi disa prej atyre batëtive, si devetë për të udhëtuar nëpër Tokë, ashtu si dhe mbarteni dhe mbartni mallrat tuaja mbi anije për të udhëtuar nëpër det.

[6] Ne e dërguam Nuhun tek populli i tij me thirrjen e adhurimit të një Zoti të vetëm, dhe ai u tha atyre: “Adhuroni vetëm Allahun! Ju nuk keni asnjë zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Allahut, prandaj bëjeni adhurimin tuaj të sinqertë vetëm për Të! A nuk e keni frikë Allahun dhe dënimin e Tij për shkak të adhurimit të idhujve që ju bëni?!”

[7] Por krerët e vendit e përgënjeshtruan Nuhun dhe i thanë masës së popullit: “Nuhu është thjesht një njeri si ju, që nuk ka asnjë dallim nga ju, dhe nuk do gjë tjetër veçse pushtet dhe privilegj mbi ju. Po të donte Allahu të na dërgonte ndonjë të dërguar, do e kishte dërguar nga engjëjt dhe jo nga njerëzit. Ne nuk kemi dëgjuar ndonjë thirrje të tillë si kjo e Nuhut, për të adhuruar Një Zot të vetëm, nga etërit dhe stërgjyshëit tanë të mëparshëm…

[8] … Nuhu nuk është veçse njeri i çmendur, kështu që prisni deri sa t’i vijë mendja, dhe ta lërë thirrjen e tij, ose t’i vijë vdekja dhe të bini rehat prej tij.”

[9] Nuhu iu lut Allahut: “Zoti im! Më ndihmo kundër popullit tim, dhe zbrit mbi ta dënimin Tënd, sepse ata më përgënjeshtruan në atë që unë u komunikova prej shpalljes Tënde, edhe pse kaloi një kohë qindra vjeçare dhe kurrë nuk besuan!”

[10] Kur Nuhu kërkoi ndihmën kundër popullit të Tij, Allahu i shpalli atij: “Ndërto anijen nën Sytë Tanë, vështrimin dhe mbikqyrjen Tonë, me urdhrin Tonë dhe me ndihmën Tonë, dhe ti do të jesh nën ruajtjen Tonë dhe kujdesin Tonë. Kur të vijë urdhri Ynë për dënimin e popullit tënd me përmbytje, dhe të vijë shenja e parë e Tufanit me vërshimin e ujit me forcë nga furra e bukës, atëherë ngarko në anije nga një çift (mashkul e femër) prej çdo gjallese, si dhe familjen tënde, me përjashtim të atyre për të cilët është miratuar dekreti i dënimit të merituar që më parë, për shkak të mohimit dhe përgënjeshtrimit të tyre, siç është gruaja dhe djali yt; dhe mos më kërko shpëtimin e të padrejtëve nga populli yt, sepse ata do të mbyten bashkë me të tjerët, pa asnjë diskutim…

-343-


  1. Kur ti dhe ata që janë me ty të hipni në anije, thuaj: “Falënderimi i përket Allahut, i Cili na shpëtoi nga populli i padrejtë!”[1]
  2. Dhe thuaj: “Zoti im! Më zbrit në një vend të bekuar, sepse Ti je Strehuesi më i mirë!”[2]
  3. Me të vërtetë, në këtë (histori) ka prova dhe me të vërtetë, Ne i vëmë në provë njerëzit.[3]
  4. Pastaj, pas tyre Ne nxorëm një brez tjetër (Adin).[4]
  5. Atyre (popullit Ad) u dërguam një të dërguar nga mesi i tyre (Hudin), i cili u tha: “Adhuroni vetëm Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk keni frikë (nga dënimi i Tij)?”[5]
  6. Por krerët e popullit të tij – të cilët nuk besuan dhe e mohuan takimin (e Allahut) në botën tjetër, ndërkohë që u kishim mundësuar jetë luksoze në këtë botë – thanë: “Ky është vetëm një njeri si ju. Ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju![6]
  7. Nëse ju i bindeni një njeriu si ju, me siguri, do të jeni të humbur![7]
  8. A ju premton ai që, kur të vdisni e të jeni bërë pluhur dhe eshtra, do të nxirreni vërtet përsëri (të gjallë)?![8]
  9. Larg, shumë larg (e pamundur) është ajo që ju premtohet![9]
  10. Nuk ekziston veçse jeta jonë në këtë botë, ne vdesim dhe të tjerë lindin, e askush nga ne nuk do të ringjallet.[10]
  11. Ai (i dërguari) është veçse një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, dhe ne kurrë nuk do t’i besojmë atij.”[11]
  12. Ai (i dërguari) tha: “Zoti im! Më ndihmo kundër tyre, sepse ata më përgënjeshtruan!”[12]
  13. Ai (Allahu) tha: “Së shpejti ata do të pendohen vërtet!”[13]
  14. Atëherë ata i kaploi ushtima, me të drejtën, dhe Ne i bëmë mbeturina. Larg (mëshirës së Allahut) qoftë populli i padrejtë![14]
  15. Pastaj, pas tyre Ne nxorëm breza të tjerë.[15]

[1] Kur ti, o Nuh, bashkë me ata që janë me ty të hipni në anije e të jeni të sigurt nga përmbytja, thuaj: “Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili na shpëtoi nga populli i padrejtë: mohues e idhujtar!”

[2] Dhe thuaj, o Nuh: “Zoti im! Më mundëso të zbres në një vend të bekuar e të sigurt, sepse Ti je Strehuesi më i mirë!” Allahu i mëson robët e Tij që të luten me këtë lutje kur ata zbresin nga anija apo aeroplani, dhe kur zbresin apo shpërngulen në një vendbanim të ri.

[3] Me të vërtetë, në historinë e Nuhut, dhe në shpëtimin që Allahu i bëri atij bashkë me besimtarët, dhe i përmbyti dhe shkatërroi mohuesit, ka mësim për njerëzit dhe prova të qarta për vërtetësinë e Nuhut dhe të dërguarve të Allahut në përgjithësi, dhe se ata ishin dërguar vërtet nga Allahu; dhe me të vërtetë, Allahu i vë në provë njerëzit me dërgimin e të dërguarve të Tij tek ata, para se të zbresë dënimin e Tij mbi ta.

[4] Pastaj, pas popullit të Nuhut, Ne nxorëm një brez tjetër, popullin e Adit (ose Themudit, siç është një mendim tjetër i dijetarëve).

[5] Popullit Ad i dërguam një të dërguar nga mesi i tyre, Hudin, i cili u tha atyre: “Adhuroni vetëm Allahun, sepse ju nuk keni zot tjetër që të meritojë të adhurohet përveç Tij. A nuk keni frikë nga dënimi i Tij, nëse adhuroni të tjerë përveç Tij?!”

[6] Por krerët e popullit të Hudit – të cilët e mohuan Allahun dhe e mohuan takimin me Allahun në botën tjetër për të dhënë llogari, ndërkohë që u kishim mundësuar jetë luksi në këtë botë, por kjo gjë i bëri ata të jenë tiranë dhe mosmirënjohës ndaj Zotit të tyre kështu që – i thanë masës së popullit: “Ky që ju thërret në adhurimin e një Zoti të Vetëm nuk është tjetër veçse një njeri si ju, i cili ha nga ai lloj ushqimi që hani edhe ju dhe pi nga i njëjti lloj uji që pini edhe ju…

[7] Nëse ju do i bindeni një njeriu që është si ju, atëherë me siguri që do të jeni të humbur, sepse do të lini adhurimin e zotave tuaj dhe do të ndiqni një njeri të thjeshtë.

[8] Si mund ta besoni atë që ju premton ai, se pasi të keni vdekur e të jeni bërë pluhur dhe eshtra, do të nxireni përsëri të gjallë nga varret tuaja?!

[9] Është vërtet shumë larg dhe e pamundur ajo që ju premtohet prej nxjerrjes përsëri të gjallë nga varret tuaja!

[10] Nuk ekziston jetë tjetër përveç jetës sonë në këtë botë, ku ne vdesim dhe pasaradhësit tanë lindin e na zëvendësojnë ne, por akush nga ne nuk do të ringjallet më.

[11] Ky që ju thërret në adhurimin e Një Zoti dhe në largimin nga idhujt (i dërguari i Allahut, Hudi), nuk është veçse një njeri trillon gënjeshtra për Allahun, kështu që ne nuk do t’i besojmë kurrë atij.”

[12] I dërguari i Allahut tek ata, Hudi (alejhis selam), ju lut Allahut: “Zoti im! Më ndihmo kundër popullit tim, sepse ata më quajtën gënjeshtar në thirrjen time për të të adhuruar vetëm Ty dhe për t’u larguar nga idhujtaria!”

[13] Allahu iu përgjith lutjes së të dërguarit dhe i tha atij: “Së shpejti, përgënjeshtruesit e tu nga populli yt do të pendohet vërtet për përgënjeshtrimin që të kanë bërë ty dhe për mohimin që më kanë bërë Mua.”

[14] Nuk zgjati shumë, veç kur ata papritmas i kaploi ushtima e një zëri të tmerrshëm bashkë me një erë të fortë, me drejtësinë e Allahut, për t’i lënë ata të vdekur, dhe Allahu i bëri ata sikur të ishin mbeturinat që mbajnë sipër lumenjtë e furishëm, të pajetë dhe të pavlerë. Qoftë i shkatërruar dhe larg mëshirës së Allahut populli i padrejtë, mohues i Allahut dhe përgënjeshtrues i të dërguarve të Allahut!

[15] Pas këtyre përgënjeshtruesve të dërguarit të Allahut, Ne nxorëm breza dhe popuj të tjerë, si populli i Lutit, Shuajbit, Ejubit, etj.

-344-


  1. Asnjë popull nuk mund ta shpejtojë afatin e vet (të dënimit) dhe as ta vonojë atë.[1]
  2. Pastaj, Ne i dërguam të dërguarit Tanë njëri pas tjetrit. Sa herë që një populli i vinte i dërguari i tij, ata e përgënjeshtronin atë! Kështu që i çuam njëri pas tjetrit (në shkatërrim) dhe i bëmë tregime (për njerëzit). Larg (mëshirës së Allahut) qoftë populli që nuk beson![2]
  3. Pastaj dërguam Musain dhe vëllanë e tij, Harunin, me mrekullitë Tona dhe argument të qartë
  4. te Faraoni dhe paria e tij, por ata u sollën me mendjemadhësi dhe ishin njerëz tiranë.[3]
  5. Ata thanë: “A t’u besojmë dy njerëzve si ne, ndërkohë që populli i tyre janë skllevërit tanë?!”[4]
  6. Kështu, i përgënjeshtruan ata të dy, kështu që u bënë nga të shkatërruarit.[5]
  7. Vërtet, Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin), që ata të udhëzohen drejt.[6]
  8. Birin e Merjemes dhe nënën e tij Ne i bëmë provë (për njerëzit) dhe i strehuam në një kodër të sheshtë e me ujë të rrjedhshëm.[7]
  9. O të dërguar! Hani nga të mirat dhe bëni vepra të mira! Me të vërtetë, Unë e di mirë atë që ju bëni![8]
  10. Me të vërtetë, kjo feja juaj (Islami) është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, prandaj kini frikë vetëm nga Unë![9]
  11. Por ata (njerëzit) u ndanë në grupe në çështjen e fesë së tyre, ku çdo grup ishte i kënaqur me atë që kishte.[10]
  12. Prandaj, lëri ata në atë humbjen e tyre për një farë kohe![11]
  13. A mos mendojnë ata, meqenëse Ne u japim atyre pasuri dhe djem,
  14. se po ua shpejtojmë atyre të mirat?! Jo! Por ata nuk e ndiejnë.[12]
  15. Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika ndaj Zotit të tyre;[13]
  16. ata që besojnë në provat e Zotit të tyre;[14]
  17. ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre,[15]

[1] Asnjë nga popujt mohues e përgënjeshtrues nuk mund ta shpejtojë afatin e caktuar nga Allahu për dënimin dhe shkatërrimin e tyre dhe as nuk mund ta vonojnë atë kur t’ju vijë.

[2] Pastaj, Ne i dërguarm të dërguarit Tanë te popujt e tyre njëri pas tjetrit, por sa herë që një populli i vinte i dërguari i vet dhe i ftonte ata në adhurimin e Allahut, ata e përgënjeshtronin atë, kështu që i shkatërruam ata njëri pas tjetrit, dhe i bëmë të mbeten histori, tregime dhe mësim për njerëzit. Qoftë i shkatërruar dhe larg mëshirës së Allahut populli që nuk beson Allahun dhe të dërguarin e Tij!

[3] Pastaj dërguam Musain dhe vëllanë e tij, Harunin, me nëntë mrekullitë Tona (shkopi, dora, karkalecat, morrat, bretkosat, gjaku, tufani, thatësira dhe mungesa e prodhimit), për të qenë argument i qartë që fiton mbi zemrat e njerëzve, të cilit i përulen zemrat e besimtarëve dhe me të cilin i ngrihet argumenti kundërshtuesve; i dërguam ata të dy te Faraoni, sundimtari Egjiptit, dhe paria e krerët e popullit të tij, por ata u sollën me mendjemadhësi ndaj besimit të Musait dhe vëllait të tij, duke i mohuar ata, dhe ishin vërtet njerëz tiranë ndaj njerëzve dhe Beni Israilëve, popullit të Musait, në veçanti.

[4] Faraoni dhe paria e tij thanë: “A t’u besojnë dy njerëzve, që janë si ne, ndërkohë që populli i tyre prej bijve të Israilit janë skllevërit tanë të përulur e të nënshtruar ndaj nesh?!”

[5] Kështu e përgënjeshtruan thirrjen e Musait dhe Harunit, për t’u bërë nga të shkatërruarit me mbytje në det.

[6] Ne i dhamë Teuratin Musait, në mënyrë që populli i tij, bijtë e Israilit, të udhëzoheshin në rrugën e drejtë të Allahut, duke zbatuar atë që thuhej në Teurat.

[7] Isanë, birin e Merjemes, bashkë me nënën e tij, Ne i bëmë mrekulli dhe provë të qartë të Fuqisë Sonë, duke e krijuar atë pa baba, dhe i strehuam ata të dy në një kodër të drejtë e të sheshtë, të përshtatshme për të jetuar, ku kishte edhe ujë të rrjedhshëm që binte në sy.

[8] O të dërguarit e Mi! Hani nga ushqimet e mira, të shijshme e të shëndetshme që jua kam lejuar, dhe jo ato që jua kam ndaluar për shkak të ndotësisë dhe dëmit që ju shkaktojnë në shëndetin tuaj, si dhe veproni vepra të mira, ashtu si ju kam urdhëruar. Me të vërtetë, Unë e di mirë gjithçka që ju veproni dhe do tju jap shpërblimin për to, prandaj veproni sa më mirë, me të gjitha fuqitë tuaja. – Fjala i drejtohet të dërguarve, por ajo është e përgjithshme dhe i përfshin gjithashtu ndjekësit e të dërguarve, besimtarët. Në këtë ajet ka argument se ngrënia e ushqimeve të shëndetshme e të lejuara të ndihmon për të kryer adhurimet dhe veprat e mira; ndërsa pasojat e ngrënies së të ndaluarës janë të paimagjinueshme, dhe prej atyre pasojave është mospranimi i lutjes nga Allahu.

[9] Feja juaj, o të dërguarit e Mi, është një fe e vetme, Islami, ndërsa Unë jam Zoti juaj i Vetëm, prandaj vetëm Mua të ma keni frikën dhe të ruheni nga dënimi Im, duke zbatuar urdhrat e Mia dhe duke u larguar nga ndalesat e Mia!

[10] Por njerëzit ku u dërguan të dërguarit (hebrenjtë dhe të krishterët, si dhe njerëzit e tjerë), u ndanë në grupe e sekte në fenë e tyre, ku çdo grup i gëzohej asaj që kishte zgjedhur dhe pretendonte se ajo është e vërteta dhe të gjitha sektet apo grupet e tjera ishin gabim.

[11] Prandaj, lëri ata – O i dërguar – në atë humbjen, injorancën, verbërinë, dëfrimin, mëkatin dhe kotësinë e tyre deri sa tju vijë dënimi dhe vdekja e tyre!

[12] A mos mendojnë këta mohues – meqenëse Ne u japim atyre pasuri e fëmijë në jetën e tyre të kësaj bote – se po ua shpejtojmë atyre të mirat që ata i meritojnë?! Sigurisht që jo, por ata nuk e ndiejnë dhe nuk e kuptojnë se këto janë sprovë dhe përshkallëzim i tyre që të zhyten edhe më shumë në mëkate dhe humbje, dhe pastaj të marrin dënimin që meritojnë në botën tjetër.

[13] Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika ndaj Zotit të tyre, për shkak të asaj me të cilën Zoti i tyre i ka frikësuar (prej dënimit në zjarrin e Xhehenemit);

[14] ata që besojnë provat dhe shpalljet e Allahut në këtë Kuran dhe e zbatojnë atë;

[15] ata që nuk i bëjnë shok në adhurim Zotit të tyre dhe nuk e bëjnë adhurimin e tyre për t’i parë të tjerët, por me sinqeritet vetëm për Hir të Allahut;

-345-


  1. ata që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre dridhen, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre;[1]
  2. këta janë ata që nxitojnë në vepra të mira dhe janë të parët në to.[2]
  3. Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësive të tij. Tek Ne është një Libër që flet të vërtetën dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.[3]
  4. Por zemrat e tyre (mohuesve) janë në mospërfillje ndaj këtij (Kurani) dhe ata kanë vepra të tjera (të këqia), të kundërta me këto (të besimtarëve), të cilat ata i bëjnë.[4]
  5. Derisa i kapim pasanikët e tyre me dënim, atëherë ata thërrasin për ndihmë.[5]
  6. (U thuhet): “Mos thërrisni për ndihmë sot! Asgjë nuk mund t’ju shpëtojë nga Ne.[6]
  7. Juve ju lexoheshin vargjet e Mia, por ju tërhiqeshit mbrapa,[7]
  8. duke u mburrur me të (Kaben), gjatë tubimeve tuaja të natës, ku flisnit fjalë të pakuptimta e të këqia.”[8]
  9. A nuk kanë menduar kurrë për Fjalën e Allahut (Kuranin), apo u ka ardhur diçka që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?[9]
  10. Apo nuk e njihnin të Dërguarin e tyre, prandaj e mohuan atë?[10]
  11. Apo thonë: “Ai është i çmendur”? Përkundrazi, ai u erdhi atyre me të Vërtetën, por shumica e tyre të vërtetën e urrejnë.[11]
  12. Sikur e Vërteta të ndiqte dëshirat e tyre, atëherë qiejt, Toka dhe të gjithë ata që gjenden në to do të shkatërroheshin. Në fakt, Ne u kemi sjellë atyre famën e tyre (Kuranin), por ata largohen nga fama e tyre.[12]
  13. Apo (nuk besojnë) nga që ti (Muhamed) u kërkon atyre shpërblim? Por shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe Ai është më i miri i furnizuesve.[13]
  14. Me të vërtetë, ti (o Muhamed) i fton ata në Rrugë të Drejtë,[14]
  15. por ata që nuk e besojnë botën tjetër, kanë devijuar nga ajo Rrugë.[15]

[1] ata që kur japin lëmoshë apo bëjnë vepra bamirësie, zemrat e tyre dridhen nga frika se nuk u pranohen nga Allahu dhe se nuk do i shpëtojnë ata nga dënimi i Zotit të tyre kur të kthehen tek Ai për të dhënë llogari.

[2] Këta që u përmendën janë ata që nxitojnë në vepra të mira dhe bindje ndaj Allahut me të gjitha mundësitë dhe përpjekjet e tyre, dhe janë të parët në kryerjen e tyre. – Disa komentues të Kuranit janë të mendimit se kuptimi i fjalisë së fundit është: “dhe janë ata që u është caktuar lumturia që më parë nga Allahu, – para se të nxitojnë në vepra të mira, dhe pikërisht pse u është caktuar që më parë, nxitojnë në kryerjen e tyre.” Këtë mendim e ka zgjedhur edhe Taberiu.

[3] Ne nuk ngarkojmë askënd prej robërve Tanë përtej mundësive të tij dhe asaj që mund ta kryejnë, dhe të gjitha veprat e tyre janë të regjistruara tek Ne, në Librin e regjistrimit të veprave, të cilin do e ngrenë engjëjt dhe ai do të flasë të vërtetën në ditën e Kiametit, dhe askujt nuk do t’i bëhet as padrejtësia më e vogël; as nuk do t’u pakësohen të mirat që kanë bërë dhe shpërblimi i tyre, as nuk do t’u shtohen të këqiat që kanë bërë dhe ndëshkimi për to.

[4] Nuk është ashtu si mendojnë idhujtarët dhe mohuesit, se pasuria dhe fëmijët që Allahu u jep atyre është diçka e mirë për ta dhe se Allahu është i kënaqur me ta, përkundrazi, zemrat e tyre janë në mospërfillje, injorancë dhe humbje të verbër ndaj këtij Kurani, kështu që nuk mund ta kuptojnë atë apo të përfitojnë prej tij, dhe përveç idhujtarisë dhe ndryshe nga veprat e besimtarëve, ata kanë vepra të tjera të këqia që Allahu i ndalon dhe i urren, dhe për të cilat do t’i ndëshkojë ashtu si e meritojnë.

[5] Idhujtarët dhe mohuesit vazhdojnë të bëjnë vepra të këqia, bashkë me idhujtarinë dhe mohimin e tyre, derisa Allahu i kap me dënim pasanikët dhe parinë e tyre, atëherë ata thërrasin për ndihmë duke bërtitur e ngritur zërin.

[6] U thuhet atyre mohuesve që thërrasin për ndihmë ndokënd që mund t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut: “Mos bërtisni e mos thërrisni për ndihmë sot, se askush e asgjë nuk mund t’ju shpëtojë nga dënimi Ynë!”

[7] Juve ju lexoheshin vargjet e Kuranit, që t’i besonit dhe t’i zbatonit ato, por ju largoheshit dhe nuk i dëgjonit ato, siç bën ai që kthehet mbrapa dhe largohet.

[8] Largoheshit nga vargjet e Kuranit duke u mburrur se ishit njerëzit e Kabes dhe banorët e Mekës, dhe si të tillë nuk mund t’ju mposhte askush në atë vend, dhe kështu flisnit në tubimet tuaja të natës fjalë të këqia e të pakuptimta për Kuranin dhe Muhamedin, me qëllim që të largoheshit prej tyre.

[9] A nuk kanë menduar mohuesit dhe idhujtarët për Fjalën e Allahut, Kuranin, që ta mësonin se ai është i vërtet, apo nuk besuan sepse u erdhi një Libër që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre, kështu që e mohuan atë dhe i kthyen shpinën atij?

[10] Apo nuk besuan sepse nuk e njihnin të dërguarin e tyre, Muhamedin – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – kështu që e mohuan atë?! Ndërkohë që e njihnin shumë mirë atë dhe e kishin quajtur me cilësitë: I sinqerti dhe i besueshmi!

[11] Apo thonë se Muhamedi është i çmendur dhe flet fjalë pa kuptim e nuk e di çfarë thotë? Nuk është ashtu, ata gënjejnë, përkundrazi, ai u erdhi atyre me të vërtetën e pamohueshme, me urtësinë absolute dhe me fenë e vërtetë, por shumica e tyre e urrejnë të vërtetën nga zilia, kryeneçësia dhe mendjemadhësia e tyre.

[12] Sikur Allahu t’i zbriste ligjet e Tij sipas dëshirave të idhujtarëve e mohuesve, dhe jo sipas të vërtetës që ata urrejnë, atëherë qiejtë, Toka dhe të gjithë ata që gjenden në to, të cilat mbahen dhe drejtohen nga Allahu me të vërtetën, do të shkatërroheshin, sepse dëshirat e tyre nuk i shohin përfundimet dhe fundet e gjërave dhe nuk e ndjekin të vërtetën! Në fakt, Allahu u solli atyre Kuranin, i cili është famë, nder dhe këshillë për ata që e pranojnë dhe e zbatojnë atë, por ata i kthejnë shpinën famës dhe nderit të tyre dhe e mohojnë atë.

[13] Apo mos nuk besojnë nga që ti, o Muhamed, u kërkon atyre shpërblim për thirrjen që u bën në fenë e Allahut dhe për këshillat që u jep e të vërtetën në të cilën i fton, kështu që ata largohen nga që nuk duan të shpenzojnë? Sigurisht që jo, sepse shpërblimi i Allahut është më i mirë për ty, dhe Allahu është Furnizuesi më i mirë; askush nuk mund të furnizojë si Allahu i Lartësuar dhe askush nuk mund të shpërblejë ashtu si shpërblen Ai për një punë dhe bindje ndaj Tij.

[14] Ti, o Muhamed, i fton idhujtarët nga populli yt dhe të gjithë njerëzit, në Rrugën e Drejtë të Allahut, në Islam.

[15] Por ata që nuk e besojnë ringjalljen pas vdekjes, llogarinë dhe shpërblimin sipas veprave në botën tjetër, kanë devijuar nga Rruga e Drejtë.

-346-


  1. Edhe sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim zinë (e bukës), ata do të vazhdonin të endeshin verbërisht në humbjen dhe mosbesimin e tyre.[1]
  2. Ne i kapluam ata me dënim, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre dhe as nuk iu lutën Atij me përgjërim.[2]
  3. Por, posa t’u hapim atyre një derë me dënim të ashpër, ata do të zhyten atje në dëshpërim.[3]
  4. Është Ai që jua ka krijuar dëgjimin, shikimin dhe zemrën. Megjithatë, shumë pak falënderoni![4]
  5. Është Ai që ju ka shpërndarë nëpër Tokë dhe tek Ai do të tuboheni të gjithë.[5]
  6. Është Ai që jep jetë dhe vdekje dhe vetëm Atij i takon ndërrimi i ditës dhe i natës. A nuk kuptoni?[6]
  7. Por ata thanë atë njësoj siç thanë edhe paraardhësit e tyre.[7]
  8. Ata thanë: “Edhe pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, a do të ringjallemi vërtet?![8]
  9. Kjo na është premtuar neve dhe të parëve tanë më parë, por këto nuk janë gjë tjetër veçse përralla të popujve të hershëm.”[9]
  10. Thuaju: “E kujt është Toka dhe të gjithë ata që gjenden në të, nëse e dini?”[10]
  11. Ata do të thonë: “Të Allahut!” Thuaju: “A nuk arsyetoni?”[11]
  12. Thuaju: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?”[12]
  13. Ata do të thonë: “Allahu!” Thuaju: “A nuk keni frikë?”[13]
  14. Thuaju: “Kush e ka në Dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të të mbrojë askush, nëse e dini?”[14]
  15. Ata do të thonë: “Allahu.” Thuaju: “Atëherë, si mashtroheni”?![15]

[1] Edhe sikur Ne t’i mëshironim idhujtarët që nuk e besojnë botën tjetër dhe t’ua largonim zinë e urisë (që kishte pllakosur idhujtarët e Mekes në atë kohë, nga një lutje që i Dërguari i Allahut bëri kundër tyre, pas emigrimit nga Meka në Medine dhe pas luftës së Bedrit), ata gjithësesi do të vazhdonin të endeshin me verbëri dhe përçartje në humbjen dhe mosbesimin e tyre.

[2] Ne i kapluam idhujtarët e Mekes me dënimin Tonë, zbritëm mbi ta zemërimin Tonë, ia ngushtuam furnizmin dhe zbritëm thatësirë në vendin e tyre, në mënyrë që ta besonin Muhamedin dhe Kuranin, dhe të mos e luftonin atë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre dhe nuk iu bindën Atij, dhe as nuk iu lutën Atij me përgjërim dhe frikë që t’ua largonte dënimin dhe zinë që i kishte pllakosur.

[3] Kur t’u hapim atyre idhujtarëve një derë me dënim të ashpër në botën tjetër, ata do të zhyten atje në dëshpërim të thellë pa asnjë shpresë dhe të penduar për këmbënguljen e tyre në mosbesim dhe mosbindje kur Ai dërgoi tek ata të Dërguarin e Tij.

[4] Është Allahu Ai që jua ka shpikur dhe krijuar dëgjimin, që të dëgjoni e të perceptoni zërat e ndryshëm; shikimin, që të shihni, dhe zemrat tuaja, që të kuptoni e të keni ndjenja; por megjithatë, falënderimi juaj për këto mirësi e dhunti që ju ka dhënë Allahu, është shumë i pakët, sa që thuajse nuk ekziston.

[5] Allahu ju ka krijuar, ju ka nxjerrë dhe ju ka shpërndarë ju, o njerëz, nëpër Tokë, dhe tek Ai do të tuboheni që të gjithë ju, pas vdekjes suaj, që t’ju shpërblejë për ato që keni vepruar në këtë botë.

[6] Allahu është i Vetmi që i jep jetë krijesave të Tij pasi që nuk ishin asgjë, dhe Ai ua merr atyre jetën pasi ua ka dhënë; dhe vetëm Atij i përket ndërrimi i ditës dhe i natës, e askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë; a nuk e kuptoni Fuqinë e Tij për çdo gjë dhe se Ai e ka të lehtë të ringjallë të vdekurit pas zhdukjes së tyre?

[7] Por mohuesit nuk morën mësim nga provat e Allahut dhe Fuqia e Tij, dhe nuk e besuan ringjalljen, por thanë të njëjtën fjalë që kishin thënë edhe të parët e tyre përgënjeshtrues të Dërguarve të Allahut: “Edhe pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, përsëri do të ringjallemi?!”

[8] A do të ringjallemi vërtet, pasi të vdesim e të jemi tretur e bërë kocka e pluhur; sigurisht që kjo nuk është as e mundur as e imagjinueshme?!

[9] Kjo fjalë që po na thua neve, o Muhamed, i është thënë edhe të parëve tanë më parë, nga njerëz që thonin se janë të Dërguar të Zotit, por deri më tani nuk e kemi parë që të jetë e vërtetë se askush nuk është ringjallur deri më tani; kështu që kjo që na thua (për ringjalljen) nuk është gjë tjetër veçse përrallë e popujve të hershëm, që nuk përmban asgjë të vërtetë.

[10] Thuaju atyre, mohuesve të ringjalljes, o Muhamed: “Kujt i përket Toka dhe çdo njeri e çdo krijesë që gjendet në të, nëse e dini dhe e njihni Krijuesin dhe Zotëruesin e saj?”

[11] Sigurisht që ata do e pranojnë se Ai që e zotëron Tokën dhe gjithçka që gjendet në të është Allahu, Krijuesi i saj dhe i gjithçkaje; atëherë ti, o Muhamed, thuaju atyre: “Atëherë, si nuk arsyetoni që të mësoni se Ai që e ka krijuar Tokën dhe që e zotëron atë dhe gjithçka që ekziston, është i Plotfuqishëm dhe plotësisht i Aftë që t’ju ringjallë juve dhe paraardhësit tuaj pas vdekjes suaj, dhe t’ju rikthejë në jetë të plotë pas zhdukjes suaj?! A nuk i ishte Ai që ju krijoi dhe ju solli në jetë, ndërkohë që më parë nuk ishit asgjë dhe nuk ekzistonit?!”

[12] Thuaju mohuesve, o Muhamed: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit (Arshit) Madhështor që i rrethon qiejtë, dhe që është krijesa më e madhe dhe më e lartë?”

[13] Nuk kanë si të përgjigjen ndryshe, përveçse të thonë se Zoti i shtatë qiejve dhe i Fronit Madhështor është vetëm Allahu; atëherë ti, o Muhamed, thuaju atyre: “Si nuk i frikësoheni Allahut dhe dënimit të Tij kur adhuroni të tjerë përveç Tij dhe kur e mohoni Atë, të Dërguarit e Tij dhe Fjalët e Tij?!”

[14] Kush është Zotëruesi i gjithçkaje dhe kush ka në Dorë gjithçka; Kush është Ai që mbron kur i kërkohet mbrojtje, por nga i Cili nuk mund të të mbrojë askush, nëse Ai të dënon apo të sjell një të keqe; nëse e dini këtë gjë?

[15] Ata do të përgjigjen, se të gjitha këto janë në Dorë të Allahut. Thuaju, o Muhamed: “Atëherë, si ju ikën mendja, si verboheni, si mashtroheni e devijoni nga adhurimi i Allahut, bindja ndaj Tij dhe besimi në ringjalljen dhe botën tjetër, dhe bëni të kundërtën e këtyre, kur e dini se sundimi i gjithçkaje është në Dorën e Allahut?”

-347-


  1. Në të vërtetë, Ne u sollëm atyre të Vërtetën, por ata janë gënjeshtarë.[1]
  2. Allahu kurrë nuk ka zgjedhur për Vete të ketë ndonjë fëmijë dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin kundër njëri-tjetrit. I Lartësuar është Allahu nga ajo që ata i përshkruajnë![2]
  3. Ai është Njohësi i së padukshmes dhe i së dukshmes. I Lartë është Ai nga ajo që i shoqërojnë Atij![3]
  4. Thuaj (o Muhamed): “Zoti im! Nëse do të ma tregosh dënimin që u ke premtuar atyre,[4]
  5. atëherë, o Zoti im, mos më lër në mesin e popullit zullumqar!”[5]
  6. Dhe vërtetë, Ne jemi në gjendje të të tregojmë ty se me çfarë i kërcënojmë ata.[6]
  7. Përgjigju të keqes me atë që është më e mira. Ne e dimë mirë se çfarë përshkruajnë ata.[7]
  8. Dhe thuaj: “Zoti im! Kërkoj të më mbrosh nga tundimet e djajve,
  9. dhe Ty të kërkoj mbrojtje, o Zoti im, që të mos më afrohen (djajtë)!”[8]
  10. Kur ndonjërit prej tyre (mohuesve) i afrohet vdekja, ai thotë: “O Zoti im! Më ktheni (në dynja),[9]
  11. që të mund të veproj mirë në atë (botë) që kam lënë pas!” Kurrsesi! Kjo është vetëm një fjalë pa vlerë që ai thotë! Pas (vdekjes së) tyre ka një ndarëse (mes kësaj bote dhe botës tjetër) deri në Ditën që do të ringjallen.[10]
  12. Dhe kur të fryhet në Sur, atë ditë nuk do të ketë lidhje farefisnore mes tyre dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin.[11]
  13. Sa u përket atyre që u rëndon peshorja (e veprave të mira), ata janë të shpëtuarit.[12]
  14. Por ata që do të kenë peshore të lehta (të veprave të mira), pikërisht këta janë ata që kanë humbur vetveten, dhe ata do të qëndrojnë në Xhehenem përgjithmonë.[13]
  15. Zjarri do t’ua djegë fytyrat dhe ata do të jenë aty me buzë të tkurrura (sa do t’u duken dhëmbët).[14]

[1] Ne nuk u kemi sjellë këtyre idhujtarëve e mohuesve veçse të vërtetën; fenë e vërtetë me të cilën dërguam Muhamedin, por ata janë gënjeshtarë në atë që i përshkruajnë Allahut shok në adhurim dhe që i veshin Atij fëmijë prej engjëjve apo njerëzve, dhe në mohimin e ringjalljes.

[2] Allahu nuk ka zgjedhur të ketë fëmijë prej engjëve apo njerëzve, dhe përveç Tij nuk ka asnjë zot tjetër që meriton të adhurohet, sepse sikur të kishte vërtet zota të tjerë që meritojnë të adhurohen, atëherë secili prej tyre do të merrte ato që kishte krijuar vetë dhe do të ndahej nga të tjerët, pastaj do të luftonin me njëri-tjetrin për të sunduar më i forti prej tyre, dhe atëherë të tjerët do të ishin të dobët dhe nuk do të vlenin për të qenë Zot që adhurohet! Por Allahu është i Pastër dhe shumë i Lartë nga ajo që idhujtarët dhe mohuesit i përshkruajnë prej të pasurit shok apo fëmijë!

[3] Allahu është i Vetmi që e njeh mirë dhe që e di të padukshmen dhe të panjohurën nga krijesat e Tij, dhe atë që është e dukshme për ta, dhe Ai di gjithçka që thonë e bëjnë idhujtarët dhe të gjitha krijesat e Tij, dhe askush tjetër përveç Tij nuk i di këto. I Lartë dhe i Pastër është Allahu nga çdo gjë që i shoqërojnë Atij idhujtarët apo me të cilën e përshkruajnë mohuesit!

[4] Thuaj, o Muhamed: “Zoti im! Nëse do të më bësh ta shoh dënimin Tënd kundër këtyre idhujtarëve e mohuesve, atëherë, o Zoti im, mos më lër mua në mesin e tyre që të shkatërrohem bashkë me ta, por më shpëto nga dënimi dhe zemërimi Yt dhe më bëj prej atyre me të cilët Ti je i kënaqur!”

[5] Thuaj, o Muhamed: “Zoti im! Nëse do të më bësh ta shoh dënimin Tënd kundër këtyre idhujtarëve e mohuesve, atëherë, o Zoti im, mos më lër mua në mesin e popullit zullumqar e idhujtar që të shkatërrohem bashkë me ta, por më shpëto nga dënimi dhe zemërimi Yt dhe më bëj prej atyre me të cilët Ti je i kënaqur!”

[6] Dhe vërtetë, Ne jemi në gjendje të të tregojmë ty, o Muhamed, dhe të bëjmë që ta shohësh dënimin me të cilin do t’i dënojmë idhujtarët, por e lëmë atë dënim për në kohën e tij të caktuar nga Ne.

[7] Kur armiqtë e tu, o Muhamed, të lëndojnë me fjalë apo vepër, ti mos ia kthe njëjtë, por ktheja me atë që është më e mira (me fjalë të mirë dhe me largim prej tyre). Ne e dimë mirë se me çfarë Na përshkruajnë idhujtarët dhe çfarë shpifin për Ne, dhe se çfarë thonë e shpifin për ty, o Muhamed; dhe do t’i shpërblejmë ata për të gjitha këto, ashtu si e meritojnë, kështu që mos të të mërzisin ato që dëgjon prej tyre!

[8] Thuaj, o Muhamed, dhe të gjithë ju, o besimtarë: “Zoti im! Kërkoj strehim tek Ti dhe mbrojtje nga Ti kundër tundimit të djajve dhe nxitjeve të tyre për pasimin e të pavërtetës, prishjen dhe largimin nga e vërteta; dhe Ty të kërkoj mbrojtje, o Zoti im, që të mos më afrohen djajtë në asnjë prej çështjeve të mia dhe të mos qëndrojnë pranë meje!”

[9] Kur mohuesit apo atij që e ka ngarkuar veten me mëkate i vjen vdekja, i hiqet perdja dhe e sheh çfarë e pret në botën tjetër, thotë: “O Zot! Më kthe edhe një herë në dynja!”

[10] Që të mund ta rifitoj atë që kam humbur prej besimit dhe bindjes ndaj Teje, o Zot, dhe të bëj veprat e mira që nuk i kam bërë në dynja. Por lutja dhe kërkesa e tij do të refuzohet dhe ai nuk do të ketë më asnjë mundësi të dytë; madje kjo fjalë dhe kjo kërkesë e tij nuk është e sinqertë, sepse edhe nëse do të kthehej në dynja për herë të dytë, ai përsëri do të bënte ato që i ishin ndaluar; dhe të vdekurit, do të qëndrojnë në jetën e varrit (barzah) që është ndarëse e kësaj bote nga bota tjetër, deri në Ditën e Ringjalljes në botën tjetër.

[11] Kur t’i fryhet Surit (një lloj trumbete që do i fryejë engjëlli Israfil me urdhrin e Allahut, për herë të dytë, për ringjalljen e krijesave), dhe kur njerëzit të ringjallen nga varret e tyre dhe të grumbullohen në Tokën e Mahsherit (ringjalljes), atë ditë nuk do të ketë më mburrje me farefisin apo mbrojtje nga farefisi, dhe as që do të pyesin për njëri-tjetrin, ashtu si pyesnin në dynja.

[12] Sa u përket atyre që do t’u rëndojë peshorja e veprave të mira mbi aë të veprave të këqia, ata do të jenë të shpëtuarit, të cilët do të fitojnë Xhenetin.

[13] Kurse ata që do të kenë peshojë të lehtë të veprave të mira dhe do t’u rëndojnë të këqiat, pikërisht këta janë ata që kanë humbur vetveten duke e mbushur atë me të këqia, kështu që ata do të qëndrojnë përgjithmonë në Zjarrin e Xhehenemit.

[14] Zjarri i Xhehenemit do t’ua djegë fytyrat, dhe ata do të jenë aty me buzë të tkurrura nga djegia, sa që do t’u duken dhëmbët; dhe do të jenë vazhdimisht të vrenjtur në fytyrë.

-348-


  1. (Do t’u thuhet): “A nuk ju lexoheshin juve Shpalljet Tona, kurse ju i përgënjeshtronit ato?!”[1]
  2. Ata do të thonë: “Zoti ynë! Na mundi e keqja jonë (ligësia, ose fati ynë i keq) dhe (prandaj) ishim njerëz të humbur (nga rruga e Drejtë).[2]
  3. Zoti ynë! Na nxirr prej këtij (Zjarrit) e, nëse kthehemi përsëri (tek e keqja), atëherë do të jemi vërtet të padrejtë!”[3]
  4. Ai (Allahu) do t’u thotë: “Qëndroni aty të përbuzur dhe mos Më flisni![4]
  5. Vërtet, ishte një grup prej robërve të Mi që thoshte: “Zoti ynë! Ne kemi besuar, prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!”[5]
  6. Por ju u tallët me ta, sa që ju bënë të harroni të më përmendni Mua, dhe qeshnit me ta (për t’i tallur).[6]
  7. Unë i shpërbleva ata sot për durimin e tyre, dhe me të vërtetë, ata janë të fituarit.”[7]
  8. Ai do t’u thotë (banorëve të Zjarrit): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?”[8]
  9. Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës, por pyesni numëruesit!”[9]
  10. Ai do t’u thotë: “Keni qëndruar shumë pak, veç sikur ta dinit (sa pak në krahasim me përjetësinë e Zjarrit)![10]
  11. A menduat se Ne ju krijuam pa qëllim dhe se nuk do të ktheheshit tek Ne?”[11]
  12. I lartësuar është Allahu, Mbreti i Vërtetë! Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij, Zotit të Arshit (Fronit) të Nderuar![12]
  13. Kushdo që përveç Allahut lut zot tjetër, për të cilin nuk ka kurrfarë prove, llogaria e tij do të jetë vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, mohuesit nuk kanë shpëtim.[13]
  14. Dhe thuaj (o Muhamed!): “Zoti im! Fal dhe mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!”[14]

[1] Do t’u thuhet banorëve të Zjarrit: “A nuk ju lexoheshin juve ajetet e Kuranit në dynja (duke ju paralajmëruar për këtë ditë), kurse ju i përgënjeshtronit ato?!”

[2] Banorët e Zjarrit do të thonë: “Zoti ynë! Na mposhtën vetet tona të këqia, kënaqësitë dhe dëshirat tona, fati ynë i keq, i paracaktuar për ne që më parë në Dijen Tënde dhe i shkruar në Librin e Ruajtur – El Leuh el Mahfudh; prandaj ishim njerëz të humbur nga rruga e Drejtë dhe e Vërtetë.

[3] Zoti ynë, na nxirr nga Zjarri i Xhehenemit dhe na kthe në dynja, dhe nëse do të kthehemi përsëri tek e keqja, mohimi dhe mosbindja ndaj Teje, atëherë do të jemi vërtet të padrejtë dhe do të meritojmë dënimin e Zjarrit!”

[4] Allahu do t’u thotë banorëve të Zjarrit: “Qëndroni aty në Zjarr të përbuzur e të përçmuar, dhe mos Më flisni!” Atëherë atyre iu pre lutja dhe shpresa që kishin se mund të shpëtonin.

[5] Ishte një grup besimtar prej robërve të Mi, të cilët kur ishin në dynja luteshin: “Zoti ynë! Ne të kemi besuar Ty, të Dërguarit e Tu dhe Shpalljet e Tua, prandaj na fal dhe na i mbulo mëkatet tona, dhe na mëshiro me Mëshirën Tënde, sepse nuk ka mëshirues më të mirë se Ti!”

[6] Por ju e kaluat të gjithë kohën duke u tallur me ta, sa që kjo gjë ju bëri të harroni të më përmendni Mua, kështu që mbetët në përgënjeshtrimin, mohimin dhe idhujtarinë tuaj; dhe i përqeshnit ata.

[7] Unë e shpërbela sot atë grup besimtarësh për durimin që treguan në dynja, dhe me të vërtetë, ata janë të fituarit, që fituan Xhenetin, kënaqësinë Time dhe lumturinë e përhershme.”

[8] Allahu do t’u thotë banorëve të Zjarrit: “Sa vite keni jetuar në Tokë; dhe sa e sa nga urdhrat e Mia keni thyer e keni lënë pa zbatuar atje?”

[9] Për shkak të tmerrit dhe dënimit të rëndë që ua ka harruar çdo të mirë që kanë parë në dynja, banorët e Zjarrit do të përgjigjen: “Kemi qëndruar në Tokë një ditë apo një pjesë të ditës, por pyesni ata që i mbanin shënim numërimet e ditëve e të kohës, se ne nuk e dimë, e kemi harruar.”

[10] Allahu do t’u thotë banorëve të Zjarrit: “Nuk keni qëndruar në Tokë veçse pak kohë, dhe sikur të kishit bërë durim dhe të më ishit bindur Mua e të zbatonit urdhrat e Mia, do të kishit fituar Xhenetin. Veç sikur ta dinit sa pak keni qëndruar në Tokë, në krahasim me kohën pambarim që do të qëndroni në Zjarr.”

[11] A menduat se Ne ju krijuam kot, pa asnjë qëllim, pa ju ngarkuar me urdhra e ndalesa dhe pa marrë shpërblim apo dënim; dhe se nuk do të ktheheshit tek Ne për t’ju marrë në llogari dhe për tju shpërblyer sipas veprave që keni bërë?

[12] I Lartësuar është Allahu dhe i Pastër nga ajo që i përshkruajnë idhujtarët e mohuesit, dhe nga krijimi i njerëzve e krijesave të Tij pa ndonjë qëllim; Mbreti dhe Sunduesi i Vërtetë dhe Absolut i gjiçkaje që ekziston. S’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, Zotit të Arshit të Nderuar, krijesës më të madhe dhe më madhështore që Ai ka krijuar.

[13] Kushdo që përveç Allahut adhuron zot tjetër, për të cilin nuk ka asnjë argument se ai meriton të adhurohet, llogaria dhe ndëshkimi i tij do të jetë vetëm tek Zoti i tij në botën tjetër. Me të vërtetë, mohuesit nuk do të kenë shpëtim në Ditën e Kiametit.

[14] Dhe thuaj, o Muhamed: “Zoti im! Na i fal mëkatet dhe na mëshiro me pranimin e pendimit dhe mosndëshkimin për gabimet tona, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!”

-349-