Pasimi i Sunetit dhe lënia e bidatit
Nga libri: AKIDEJA E SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT
Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)
Përktheu: Bledar Albani
Jezid ibën Harun, në tubimin e tij ka transmetuar një Hadith për ëndërrat, të Ismail ibën Ebi Halid: Nga Kajs ibën Ebi Hazim: Nga Xherir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Ju do t’a shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni hënën kur është e plotë”[1]
– Një burrë prej të pranishmëve i tha atij: O Ebu Halid! Cili është kuptimi i këtij Hadithi?
– Ai u nxeh dhe ktheu kurrizin, pastaj tha: “Ti i ngjan shumë Sabigut[2] dhe ke nevojë për atë që u bë me të. Mjer ti! E kush mund t’a dijë se si do të bëhet kjo! Dhe kujt i lejohet që ta tejkalojë këtë fjalë me të cilën ka ardhur Hadithi, apo të flasë për të me fjalë nga vetja e tij, përveç atij që i ka ikur mendja dhe që e nënçmon Fenë e tij?
Kur dëgjoni thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atëherë pasojeni atë dhe mos shtoni mbi të. Nëse ju do ta ndiqni atë dhe nuk do ta diskutoni, atëherë do të shpëtoni, por nëse nuk e bëni këtë, atëherë do të shkatërroheni.”
Ndërsa historia e Sabigut, në të cilën Jezid ibën Haruni i tha pyetësit: “Ti i ngjan shumë Sabigut dhe ke nevojë për atë që u bë me të!”, atë e transmeton Jahja ibën Seid: Nga Seid ibën el Musejjib, se Sabig et Temimi vjen te prijësi i besimtarëve, Umer ibën El Hattab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe i thotë: O prijësi i besimtarëve! Më trego për ajetin: “Betohem për erërat që shpërndajnë pluhur!” [Dharijat: 1].
– Umeri tha: Ato janë erërat, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta thoshte këtë, atëherë nuk do ta thoja.
– Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për ato që mbartin peshë të rëndë uji!” [Dharijat: 2].
– Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: Ato janë retë, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja.
– Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për shpërndarësit e shiut me Urdhërin e Allahut!” [Dharijat: 4].
– Umeri tha: Ata janë melekët, por nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja.
– Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për ato që notojnë lehtë e qetë!” [Dharijat: 3].
– Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: Ato janë anijet, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja.
– Pastaj Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) urdhëroi që të rrihej me kamzhik njëqind goditje dhe e la në një shtëpi derisa iu mbyllën plagët, pastaj e mori përsëri dhe e goditi njëqind kamzhiqe të tjera, pastaj e dërgoi me një karvan të vogël te Ebu Musa el Eshari (në Irak) të cilit i shkroi: Mos e lejo atë që të përziehet me njerëzit!
Vazhdoi kështu disa kohë, derisa erdhi te Ebi Musa dhe u betua shumë herë se ai nuk ka më në veten e tij ato mendime që kishte më parë.
Atëherë Ebu Musa i shkroi Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për çështjen e tij dhe ai i ktheu përgjigje: Them se vërtet e ka thënë me sinqeritet, kështu që lëre të lirë të përziehet me njerëzit!”[3]
Transmeton Hamad ibën Zejd: Nga Kutën ibën Keab: Kam dëgjuar një burrë prej beni Ixhël të cilit i thonë Fulan Halid ibën Zur’ah, të tregojë për babanë e tij të ketë thënë:
“E kam parë Sabig ibën Asel në Basra, sikur të ishte deve e zgjebosur, i afrohej grupimeve të ndryshme të njerëzve dhe sa herë që ulej te ndonjë grup që nuk e njihnin, atëherë njerëzit e një grupi tjetër u thoshin: Për të është dhënë urdhëri i prerë (për mos t’iu afruar) i prijësit të besimtarëve.”[4]
Ka transmetuar gjithashtu Hamad ibën Zejd: Nga Jezid ibën Hazim: Nga Sulejman ibën Jesar, se një burrë prej fisit beni Temim, të cilit i thonë Sabig, erdhi në Medine dhe me vete kishte disa libra. Ai filloi të pyeste për ajetet e shumëkuptimta (jo plotëisht të qarta) të Kuranit. Këtë gjë e merr vesh Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe dërgoi që ta sjellin te ai, pastaj bëri gati disa thupra me gunga prej hurme. Kur ai hyn te Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ky i thotë atij: Kush je ti?
– Ai tha: Unë jam robi i Allahut, Sabigu.
– Umeri tha: Ndërsa unë jam robi i Allahut, Umeri. Pastaj iu vërshua atij duke e goditur me ato thuprat, deri sa e çau atë dhe filloi t’i zbriste gjaku nëpër fytyrë.
– Atëherë ai tha: Mjafton kjo o prijësi i besimtarëve! Sepse unë betohem në Allahun që nuk e kam më në kokë atë që kisha më parë.”[5]
Na ka treguar Ebu Abdurrahman Muhamed ibën el Husejn ibën Musa es Silmij: Më ka treguar dijetari i fikhut Muhamed ibën Mahmud el Mirvezi: Na ka treguar Muhamed ibën Umejr er Razi: Na ka treguar Ebu Zekerija Jahja ibën Ejub el Alaf et Texhibi, në Egjipt: Na ka treguar Junus ibën Abduleala: Na ka treguar Eshheb ibën Abdulaziz: Kam dëgjuar Malik ibën Enes të thotë: “Largojuni bidateve!”
– Dikush tha: O Ebu Abdullah! E çfarë janë bidatet?
– Ai tha: “Bidatçinjtë janë ata, të cilët flasin në Emrat dhe Cilësitë e Allahut, në Fjalën e Tij, Dijen dhe Fuqinë e Tij. Ata që nuk heshtin në atë që kanë heshtur Sahabet e Tabiinët.”[6]
Na ka treguar Ebu el Husejn Ahmed ibën Muhamed ibën Umer ez Zahid el Hafaf: Më ka treguar fakihu Ebu Naim Abdulmelik ibën Muhamed ibën Udej: Na ka treguar er Rabij ibën Sulejman: Kam dëgjuar Shafiun (Allahu e mëshiroftë!) të thotë:
“Që njeriu ta takojë Zotin e tij dhe të ketë bërë çdo lloj gjynahu përveç shirkut, është më e dashur tek unë se sa ta takojë atë me ndonjë hava (pasion apo imagjinatë të tij)!”[7]
Më ka treguar Ebu Tahir Muhamed ibën el Fadël: Na ka treguar Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Ebu el Ez’her: Na ka treguar Kubejsah: Na ka treguar Sufjani: Nga Xheafer ibën Burkan, se ka thënë: Një burrë pyeti Umer ibën Abdulaziz, për pasimin e ndonjë dëshire a epshi?
– Ai tha: “Shtrëngo fenë e fëmijëve të shkollës fillore apo të beduinëve[8] dhe harro çdo gjë tjetër përveç kësaj!”
Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Na ka treguar Muhamed ibën Jezid: Kam dëgjuar Ebu Jahja el Bezar të thotë: Kam dëgjuar Abas ibën Hamzah të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Ebi el Havari të thotë: Kam dëgjuar Sufjan ibën Ujejneh të thotë:
“Çdo gjë me të cilën Allahu ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij, komentimi i saj është ta lexosh dhe të heshtësh!”[9]
Na ka treguar Ebu el Husejn el Hafaf: Na ka treguar Ebu el Abas Muhamed ibën Is’hak es Seraxh: Na ka treguar Ismail ibën Ebi el Harith: Na ka treguar el Hejthem ibën Harixheh: Kam dëgjuar El Uelid ibën Muslim të thotë: Kam pyetur El Euzain, Sufjanin (Eth Theuri) dhe Malik ibën Enes për këto Hadithe që flasin për Cilësitë e Allahut dhe shikimin tek Ai në Ditën e Kijametit (prej banorëve të Xhenetit)?
– Ata kanë thënë:
“Kalojini ashtu si kanë ardhur (në kuptimin e drejtpërdrejtë), pa pyetur “Si”?”[10]
Imam Ez Zuhri, prijësi i imamëve dhe syri i dijetarëve në kohën e tij, ka thënë:
“Detyra e Allahut është sqarimi, detyra e të Dërguarit është publikimi, ndërsa detyra jonë është nënshtrimi dhe dorëzimi.”[11]
Nga disa prej selefëve ka ardhur fjala: “Rrënjosja e Islamit nuk qëndron veçse duke u dorëzuar plotësisht!”[12]
Na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejme: Na ka treguar gjyshi im, imam Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme: Na ka treguar Ahmed ibën Nasër: Na ka treguar Ebu Jakub el Hunejni: Na ka treguar Kethir ibën Abdullah el Muzeni: Nga babai i tij: Nga gjyshi i tij, se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Kjo Fe ka filluar e huaj (me pak njerëz) dhe do të kthehet e huaj, ashtu si ka filluar. Lum për ata të huajtë?
– Thanë: O i Dërguari i Allahut! Kush janë ata të huajtë?
– Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ata janë ata, të cilët do të ringjallin Sunetin tim pas meje dhe do t’ua mësojnë atë njerëzve.”[13]
Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Kam dëgjuar Ebu Hasen el Kerzi të thotë: Kam dëgjuar Ali ibën Abdulaziz të thotë: Kam dëgjuar Ebu Ubejd el Kasim ibën Selam të thotë:
“Ai që kapet për rrugën e të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të jetë si ai që kap thëngjillin dhe ajo ditë është më e mirë për mua se goditja me shpatë (rënia dëshmor) në Rrugën e Allahut!”[14]
Transmetohet nga El Eamash: Nga Ebi ed Duha: Nga Mesruku, se ky ka thënë: Hymë te Abdullah ibën Mesudi dhe ai tha:
“O ju njerëz! Ai që di diçka, le ta thotë atë, ndërsa ai që nuk di, le të thotë: Allahu e di më së miri, sepse prej diturisë është që kur nuk e di diçka të thuash: Allahu e di. Allahu i Madhëruar i ka thënë të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):
“Thuaj (O Muhamed!): Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për të (Kuranin) dhe nuk jam prej atyre që shtiren dhe trillojnë gjëra të paqëna.”[15]
Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Na ka treguar Ebu el Abas el Meakeli: Na ka treguar Ahmed ibën Abdulxhebar el Utari: Më ka treguar babai im: Më ka treguar Abdurrahman ed Dabi: Nga El Kasim ibën Urveh: Nga Muhamed ibën Keab el Kuradhi, se ky ka thënë:
“Hyra te Umer ibën Abdulaziz dhe po vështroja te ai me një vështrim të thellë.
– Ai më tha: Ti po më vështron me një shikim, me të cilin nuk më vështroje kur unë isha në Medine.
– I thashë: Kjo për shkak se u habita.
– Ai tha: Çfarë të habiti?
– Thashë: Ndryshimi i ngjyrës tënde (të lëkurës), dobësimi i trupit tënd dhe rënia e flokëve të tu!
– Ai tha: Si do të thoje nëse do të më shihje pas tri (vjetësh, ose për herë të tretë), kur unë të jem në varrin tim dhe bebja e syrit të më ketë rënë në mollëzën e faqes. Kur mishi i qafës të më rrjedhë si qelb nga goja, a nuk do të ishte mosnjohja (apo habija) jote më e fortë? Më trego një Hadith të cilin ma ke treguar një herë tjetër, nga Abdullah ibën Abasi!
– Thashë: Më ka treguar Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), duke e ngritur Hadithin te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë:
“Çdo gjë ka nderin e vet, ndërsa tubimet më të nderuara janë ato në të cilat kthehesh nga Kibla (namazi me xhemat). Mos u falni pas imamit të përgjumur dhe as pas atij që nuk është i pastër. Vriteni gjarpërin e akrepin edhe nëse jeni duke u falur dhe mos e mbuloni murin me rrobe (për ta zbukuruar nga mendjemadhësia)! Ai që sheh në librin e vëllait të tij (atë që ka shkruar dhe e ka personale) pa lejen e tij, ai sheh në Zjarr. A t’iu njoftoj për më të keqin tuaj?
– Thanë: Po, o i Dërguari i Allahut!
– Ai tha: “(Më i keqi prej jush) është ai i cili rreh robin e tij, pengon ndihmën e tij dhe banon i vetëm (në shtëpi).”
A t’iu njoftoj për më të keqin se ky?! Është ai që i urren njerëzit dhe ata e urrejnë atë!
A t’iu njoftoj për një më të keq se ky?! Ai që nuk pranon ndjesë, nuk pranon justifikim (shfajësim) dhe nuk fal gabim.
A t’iu njoftoj për një më të keq se ky?! Ai prej të cilit nuk shpresohet ndonjë e mirë dhe nuk ke siguri prej të keqes së tij.
Kush dëshiron të jetë më i forti i njerëzve, le të mbështetet te Allahu!
Kush dëshiron të jetë më i pasuri i njerëzve, le të jetë më i lidhur me atë që është në Dorë të Allahut se sa me atë që është në dorë të njerëzve!
Kush Dëshiron të jetë më i nderuari i njerëzve, le t’i frikësohet Allahut!
Isai (alejhis-selam) është ngritur para popullit të tij dhe ka thënë: O bijtë e Israilit! Mos flisni me urtësi përpara injorantëve, sepse kështu i bëni padrejtësi asaj (urtësisë) dhe mos ia ndaloni atë të zotëve të saj, sepse kështu u bëni padrejtësi atyre! Mos bëni padrejtësi dhe mos e ndihmoni zullumqarin, sepse kështu prishet simpatia për ju te Zoti juaj!
E gjithë çështja është tre llojesh: Çështje, drejtësia e të cilës është e qartë, kështu që ndiqeni atë! Çështje, gabimi i të cilës është i qartë, kështu që largojuni asaj! Dhe çështje në të cilën ka kundërshtim, kështu që lëreni këtë në dorë të Allahut të Madhëruar!”[16]
[1] E ka nxjerrë Buhariu dhe Hadithi i plotë është kështu: Thotë Xheriri: Ishim të ulur te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai vështroi hënën e cila ishte e plotë, pastaj tha: “Ju do t’a shihni Zotin tuaj, ashtu si shihni këtë (hënën e plotë) dhe nuk do të shtypeni për t’a parë Atë…”.
[2] Ai është Sabig ibën Sherik për të cilin ka treguar i biri i vëllait të tij, Asel ibën Abdullah ibën Asel se Sabigu pyeste Umerin (radiallahu anhu) për fjalët e shumëkuptimshme të Kuranit dhe ai (radiallahu anhu) e rrahu me kamzhik dhe e ndaloi të përziehej me njerëzit derisa u kthye nga mendimi i tij, pastaj Umeri e lejoi të përziehej me njerëzit. Historia e tij do të vijë së shpejti.
[3] E ka përmendur këtë histori Ibën Asakir në librin e tij të historisë, të marrë nga hafiz Ebu Bekër el Bezar dhe ed Darakutni. Është përmendur kjo histori këtu për të treguar se si silleshin sahabet me ata që kundërshtojnë dhe refuzojnë çështjet e Fesë.
[4] Këtë transmetim nga Zur’ah e ka përmendur Ibën Asakir në “Et Tarijh”.
[5] E ka nxjerrë Ed Darimi, El Axhurri etj. Kjo histori ka edhe transmetime të tjera përveç këtyre trejave që janë përmendur, me shtesa të ndryshme.
[6] E ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi, në librin e tij “Përçmimi i filozofisë dhe ndjekësve të saj”.
[7] E ka nxjerrë ibën Ebi Hatim, Ebu Naim el Asbehani, el Bejhaki dhe Ibën Asakir.
[8] Është për qëllim këtu, që të shtrëngojë e të ndjekë natyrshmërinë dhe të largohet prej pasioneve e imagjinatave të kota.
[9] E ka nxjerrë Bejhakiu e të tjerë.
[10] E ka nxjerrë imam el Lalkai, Darakutni dhe Bejhakiu.
[11] Këtë fjalë të Zuhriut e ka përmendur imam Buhariu tealikan (te shënimet dhe jo te Hadithet bazë të Sahihut të tj) dhe Ebu Naimi në librin “Hiljetul Eulija”.
[12] Këtë fjalë e ka përmendur imam el Begavi, në librin “Sherhus Suneh” dhe imam et Tahaviu, në Akiden Tahavije. Ka mundësi që autori, në këtë transmetim të ketë për qëllim imam Tahaviun.
[13] Fillimin e Hadithit e ka nxjerrë imam Muslimi e të tjerë; nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), ndërsa imam Tirmidhiu e ka nxjerrë të plotë, njësoj si autori.
[14] E ka nxjerrë Hatib el Bagdadi, në “Historinë e Bagdadit”.
[15] Suretu Sad:86. Këtë fjalë të ibën Mes’udit e transmeton Buhariu në Sahihun e tij.
[16] Një pjesë të këtij Hadithi e ka nxjerrë Ebu Daudi, Ibën Maxheh, El Hakim, Ahmedi. Por këtë rrugë transmetimi që ka përmendur autori nuk e kam gjetur në burimet e përmendura më lart dhe në mes të transmetuesëve të autorit ka të dobët.