Elementet përbërës të Besimit
Nga libri: AKIDEJA E SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT
Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)
Prej rrugës së pasuesëve të sunetit është se: Besimi është fjalë (pohimi i shehadetit), vepër (kryerja e kushteve të Islamit) dhe njohje (besim me zemër); shtohet me bindje e devotshmëri dhe pakësohet me gjynahe.
Muhamed ibën Ali ibën el Hasen ibën Shekik thotë: Kam pyetur Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Allahu e mëshiroftë!), për kuptimin e rritjes dhe zvogëlimit të besimit, dhe ai tha: Na ka treguar el Hasen ibën Musa el Eshjeb: Na ka treguar Hamad ibën Selemeh: Na ka treguar Ebu Xheafer el Hutami: Nga babai i tij: Nga gjyshi i tij: Nga Umejr ibën Habib, se ka thënë:
“Imani (besimi) rritet dhe zvogëlohet.”
– Dikush tha: Dhe si mund të jetë rritja dhe zvogëlimi i tij?
– Ai tha: “Kur përmendim Allahun, e falenderojmë dhe e madhërojmë Atë, atëherë besimi ynë rritet. Ndërsa kur jemi të pavëmendshëm, humbim kohën dhe e harrojmë përkujtimin e Allahut, atëherë besimi ynë zvogëlohet e dobësohet.”[1]
Na ka treguar Ebu el Hasen ibën Ebi Is’hak el Mizki: Na ka treguar babai im: Na ka treguar Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja Edh Dhehli, Muhamed ibën Idris el Meki dhe Ahmed ibën Shidad Et Tirmidhi, kanë thënë: Na ka treguar El Humejdi: Na ka treguar Jahja ibën Sulejm: Kam pyetur dhjetë prej dijetarëve të fikhut[2] për Imanin dhe që të gjithë ata kanë thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Hisham ibën Hasan dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Ibën Xhurejxh dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Sufjan eth Theurin dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur el Muthena ibën es Sabah dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Muhamed ibën Abdullah ibën Amër ibën Uthman dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Muhamed ibën Muslim et Taifi dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Fudajl ibën Ijad dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Nafi’ ibën Umer el Xhumhi dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Kam pyetur Sufjan ibën Ujejneh dhe ai ka thënë:
“Imani është fjalë dhe vepër.”
Na ka treguar gjithashtu Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja dhe Mahamed ibën Idris, si dhe kam dëgjuar El Humejdin të thotë: Kam dëgjuar Sufjan ibën Ujejneh të thotë:
“Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet”
– Vëllai i tij, Ibrahim ibën Ujejneh i tha atij: O Ebu Muhamed! A po thua që imani pakësohet?!
– Ai i tha: Pusho o fëmijë! Po, pakësohet deri sa nuk ngel gjë prej tij.”[3]
Uelid ibën Muslim ka thënë: Kam dëgjuar El Euzain, Malikun dhe Seid ibën Abdulaziz; që ta kundërshtojnë atë që thotë: “Imani është aprovim me fjalë, pa vepër”[4] dhe pohojnë se nuk ka besim pa vepër.[5]
Them (autori): Kush ka më shumë vepra dhe bindje të mira, ai e ka imanin më të plotë se ai që ka më pak bindje e më shumë gjynahe, pavëmendësi e humbje.
Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Ahmed ibën Bakauejh el Xhelab të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Seid er Rabati të thotë: Më ka thënë Abdullah ibën Tahir: “O Ahmed! Ju i urreni këta njerëz (murxhiet) pa i njohur ata, ndërsa unë i urrej ata ngaqë i njoh. Gjëja e parë e keqe e tyre, është se ata nuk besojnë se duhet t’i binden prijësave.
E dyta është se ata thonë se besimi nuk ka kufi apo sasi (nuk shtohet e nuk pakësohet).
Pasha Allahun! Unë nuk ia lejoj vetes të them se besimi im është si besimi i Jahja ibën Jahja, apo si besimi i Ahmed ibën Hanbel, ndërsa ata thonë: Besimi ynë është si besimi i Xhibrilit dhe Mikailit!”
Kam dëgjuar El Hakim të thotë: Kam dëgjuar Ebu Xheafer Muhamed ibën Salih ibën Hani të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Shuajb të thotë: Kam dëgjuar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali të thotë: Ibën el Mubarek hyri në Raj (qytet në Horasan) dhe një burrë, për të cilin mendohej se ishte prej havarixhëve, u ngrit e i tha atij:
– O Ebu Abdurrahman! Çfarë thua për atë që bën zina (imoralitet), vjedh dhe pi alkool?
– Ai tha: Nuk e nxjerr atë nga besimi.
– Ai tha: O Ebu Abdurrahman! A tani që u theve në moshë, je bërë murxhi[6]?
– Ai tha: Mua nuk më pranojnë murxhiet, sepse ata thonë: Veprat tona të mira janë të pranuara dhe të këqiat tona na janë falur. Ndërsa unë, sikur ta dija që më është pranuar një vepër e vetme e mirë, atëherë do të dëshmoja që unë do të hyj në Xhenet.”
Pastaj përmendi një Hadith nga Ibën Shudheb: Nga Selemeh ibën Kuhejl: Nga Huzejl ibën Sherhabil, ka thënë: Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë:
“Nëse do të peshohej imani i Ebu Bekrit me imanin e të gjithë njerëzve të tokës, ai do të peshonte më shumë.”[7]
Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Zekerija esh Shejbani të thotë: Kam dëgjuar gjykatës Jahja ibën ibën Mensur të thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë: Kam dëgjuar El Husejn ibën Harb, vëllanë e Ahmed ibën Harb të thotë:
“Dëshmoj se besimi i Ahmed ibën Harbit, me të cilin ai beson Zotin e tij është se; Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet.”
Besimtari nuk bëhet jobesimtar me kryerjen e ndonjë mëkati të madh dhe kush vdes si njësues i Allahut, ai nuk do të jetë përgjithmonë në Zjarr, nëse dënohet për gjynahet që ka bërë
Pasuesit e Sunetit besojnë se besimtari, edhe nëse bën gjynahe të shumta, të vogla apo të mëdha, ai nuk bëhet jobesimtar për shkak të atyre, edhe nëse del nga kjo botë (vdes) pa u penduar prej tyre, por vdes si njësues dhe i sinqertë në njësimin e tij, atëherë çështja e tij është në Dorë të Allahut; nëse do e falë atë, e fut në Xhenet në Ditën e Kijametit, të shpëtuar e të fituar, pa e sprovuar me Zjarr, pa e dënuar për ato që ka bërë me duart e tij dhe ia fshin ato atij.
E nëse Ai do, atëherë e dënon atë dhe e ndëshkon një farë kohe në Zjarr, por jo përgjithmonë, sepse Ai do ta lirojë atë nga Zjarri dhe do ta nxjerrë nga ai, për ta futur në begatitë e banesës së qëndrueshme.
Mësuesi ynë, Sehël ibën Muhamed (Allahu e mëshiroftë!) thoshte:
“Besimtari mëkatar edhe nëse dënohet me Zjarr, ai nuk do të hidhet në të ashtu si hidhen qafirat, nuk do të qëndrojë në të, ashtu si do të qëndrojnë ata dhe nuk do të brengoset në të, ashtu si brengosen ata.”
Kuptimi i kësaj fjale është se jobesimtari do të tërhiqet prej fytyre në Zjarr dhe do të hidhet në të përmbys, me zinxhira, me pranga në duar e zinxhirë të rëndë në këmbë. Ndërsa besimtari mëkatar, nëse sprovohet me Zjarr, ai do të hyjë në Zjarr ashtu si hyn krimineli në burgun e kësaj dynjaje, pa u flakur në të dhe jo përmbys.
Ndërsa kuptimi i fjalës së tij: “Nuk do të hidhet në Zjarr ashtu si hidhen jobesimtarët”, është se trupi i jobesimtarit do të digjet i tëri dhe sa herë që i digjet lëkura, do t’i shndërrohet me lëkurë tjetër, me qëllim që ta vuajë dënimin.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Padyshim se ata të cilët mohuan Ajetet Tona, Ne do t’i djegim në Zjarr. Sa herë që t’u piqet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atyre atë me lëkurë tjetër, që të mund ta shijojnë sa më shumë ndëshkimin.” [En Nisa: 56].
Ndërsa fytyrat e besimtarëve nuk do t’i përcëllojë Zjarri dhe as nuk do t’i djegë pjesët e trupit të cilat binin në sexhde, sepse është e ndaluar për Zjarrin të prekë pjesët e trupit, me të cilat bëhet sexhde.[8]
Kuptimi i fjalës së tij: “Nuk do të qëndrojë në Zjarr, ashtu si qëndrojnë jobesimtarët”, është se jobesimtarët do të jenë përgjithmonë në Zjarr dhe nuk do të dalin kurrë prej tij, ndërsa prej besimtarëve mëkatarë, Allahu nuk do të lerë askënd prej tyre përgjithmonë në Zjarr.
Kuptimi i fjalës së tij: “dhe nuk do të brengoset në Zjarr ashtu si brengosen jobesimtarët”, është se jobesimtarëve u hiqet shpresa nga Mëshira e Allahut dhe nuk presin asnjëherë qetësi e shlodhje.
Ndërsa lakmia e besimtarëve nuk ndërpritet asnjëherë për Mëshirën e Allahut dhe fundi i të gjithë besimtarëve do të jetë Xheneti, sepse ata janë krijuar për të dhe ai është krijuar për ta, si Mirësi nga Allahu dhe dhuratë prej Tij.
A është kafir ai i cili e lë faljen me vetëdije
Dijetarët e Hadithit kanë rënë në kundërshtim në lidhje me lënien e faljes së detyrueshme me qëllim e vetëdije prej muslimanit.[9]
Imam Ahmed ibën Hanbel dhe një grup prej dijetarëve të selefëve (Allahu i mëshiroftë!) e kanë quajtur atë kafir dhe e kanë nxjerrë nga Islami për këtë shkak, duke u bazuar në Hadithin e saktë:
“Ndërmjet robit dhe shirkut është lënia e faljes, kush e lë faljen, ka bërë kufër.”[10]
Ndërsa imam Shafiu dhe shokët e tij, si dhe një grup tjetër nga dijetarët e selefëve (Allahu i mëshiroftë të gjithë!), kanë shkuar në mendimin se ai nuk bëhet qafir nëse vazhdon të besojë se namazi është obligim edhe pse ai meriton të vritet njësoj si ai që del nga Islami (murted).
Këta e komentuan Hadithin e mësipërm, duke thënë se qëllimi është për atë që e lë faljen duke e mohuar obligueshmërinë e saj, siç ka treguar Allahu i Madhëruar për Jusufin (alejhi selam), se ai ka thënë:
“Me të vërtetë që unë e kam flakur tej fenë e popullit që nuk beson në Allahun dhe që janë mosbesimtarë, mohues të jetës së përtejme.” [Jusuf: 37].
Në fakt ai nuk ishte përlyer me kufrin që t’a linte atë, por ai e la kufrin duke e refuzuar e mohuar atë.
***
Veprat e njerëzve janë krijesa të Allahut të Madhëruar
Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit besojnë se veprat e njerëzve janë krijesa të Allahut të Madhëruar, pa pasur pikë dyshimi në këtë dhe nuk e konsiderojnë prej të udhëzuarëve në Fenë e Vërtetë atë që e kundërshton dhe e mohon këtë fjalë.
***
Udhëzimi apo humbja janë në
Dëshirën e Allahut
Ata dëshmojnë gjithashtu se Allahu i Lartësuar udhëzon kë të dojë në Fenë e Tij dhe largon prej rrugës së saj kë të dojë, duke mos pasur justifikim e prova për atë që Ai humb.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj (O Muhamed!): Me Allahun është prova e përkryer dhe më bindëse dhe po të kishte dashur Ai, vërtet që Ai do t’iu kishte udhëzuar ju të gjithëve!” [El En’am: 149].
“Dhe sikur të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim dhënë çdo njeriu udhëzimin e tij, por u vendos dhe do të vërtetohet Fjala Ime (për keqbërësit) se Unë do t’a mbush Xhehenemin me xhinët dhe njerëzit bashkë.” [Es Sexhde: 13].
“Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhinët dhe njerëzit për Xhehenemin…” [El A’raf: 179].
I lartë është Allahu! Ai e ka krijuar çdo gjë pa pasur nevojë për të dhe i ka ndarë njerëzit në dy grupe: Një grup për në Xhenet me Mirësinë e Tij dhe një grup për në Xhehenem me Drejtësinë e Tij.
Ai i ka ndarë ata në të humbur dhe në të drejtëudhëzuar, në të mirë e në të këqinj, të afërm prej Mëshirës së Tij dhe të largët prej saj:
“Ai nuk pyetet për atë që punon, por ata do të pyeten për atë që vepruan.” [El Enbija: 23].
“Padyshim që i Atij është krijimi dhe komandimi. Lartësuar me Madhështi qoftë Allahu, Zoti i gjithë botëve!” [El A’raf: 54].
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
“Ashtu sikurse ju solli në jetë në fillim Ai, po kështu do të silleni përsëri në jetë (Ditën e Ringjalljes). Një grup Ai e drejtoi dhe një grup meritoi të jetë me të gabuarën, sepse ata zgjodhën shejtanët për mbrojtës e ndihmës në vend të Allahut, duke menduar në këtë mënyrë se janë të udhëzuar drejt.” [El A’raf: 29-30].
“…Të tillët do t’i arrijë pjesa që meritojnë dhe që është shkruar në Librin e Vendimeve Tona.” [El A’raf: 37].
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), për këtë ajet thotë: “Ajo që do t’i arrijë ata është çfarë ka kaluar prej lumturisë apo brengës”.
Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas es Siraxh: Na ka treguar Jusuf ibën Musa: Na ka treguar Xheriri: Nga El Eamash: Nga Zejd ibën Uehb: Nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Na ka treguar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai është i sinqerti dhe i besueshmi:
“Krijimi i çdokujt prej jush fillon të bashkohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj bëhet copë gjaku e mpiksur, po për aq kohë. Pastaj bëhet si një copë mishi e përtypur, po për aq kohë, pastaj Allahu dërgon tek ai një melek me katër gjëra: Me rizkun e tij, punën e tij, exhelin (kohën e vdekjes) e tij dhe nëse do të jetë fatkeq apo fatmirë.
Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Dikush prej jush mund të punojë punë të banorëve të Xhenetit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe Xhenetit më tepër se një pash, pastaj do t’a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të Zjarrit e do të hyjë në të. Dhe vërtet që ndokush nga ju mund të punojë punë të banorëve të Zjarrit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe Zjarrit më tepër se një pash, pastaj do t’a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të Xhenetit, e do të hyjë në të.”[11]
Na ka treguar gjithashtu Ebu Muhamed el Muhlidi, ka thënë: Na ka treguar Ebu el Abas es Seraxh, ka thënë: Na ka treguar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali –ibën Rahavejh-, ka thënë: Na ka treguar Abdusamed ibën Abdulvarith, ka thënë: Na ka treguar Hamad ibën Selemeh: Nga Hisham ibën Urvah: Nga babai i tij: Nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Dikush mund të punojë punë të banorëve të Xhenetit, por ai është shkruajtur në Libër se është prej banorëve të Zjarrit, kur të jetë pranë vdekjes ai shndërrohet dhe punon punë të banorëve të Zjarrit, pastaj vdes dhe hyn në Zjarr. Dhe dikush tjetër mund të punojë punë të banorëve të Zjarrit, por ai është shkruar në Libër prej banorëve të Xhenetit dhe kur të jetë pranë vdekjes punon punë të banorëve të Xhenetit, pastaj vdes dhe hyn në Xhenet.”[12]
[1] E ka nxjerrë Abdullah ibën Ahmed, në librin “Es Suneh”, El Axhurri, ibën Ebi Shejbeh dhe Ibën Sead.
[2] Këta dijetarë do i përmendë më poshtë, por ai ka përmendur vetëm nëntë dhe me sa duket i dhjeti është imam Malik ibën Enes, sepse ai është përmendur në mesin e këtyre të dhjetëve në librin “Esh Sherij’atu” të El Axhurrit dhe në librin e El Lalikait.
[3] E ka nxjerrë El Axhurri, në librin “Esh Sheriatu”.
[4] Këtë fjalë e thonë murxhiet.
[5] E ka nxjerrë El Lalikai me shtesën: “dhe nuk ka vepër të pranuar vetëm se me besim”.
[6] Murxhitë u quajtën me këtë emër për shkak se ata thonë; se puna është e vonuar nga besimi dhe se besimi apo Imani është vetëm të besuarit me zemër edhe nëse vonohet pohimi me gjuhë dhe të vepruarit me gjymtyrë, si dhe për shkak të dhënies shpresë së tepërmi prej tyre. Ata thonë: “Besimi nuk ndikohet nga gjynahet ashtu si dhe veprat e mira nuk i bëjnë dobi kufrit.” Ata janë të një fjale; që nuk do të hyjë në Zjarr askush përveç qafirave.
[7] E ka nxjerrë imam Ahmedi.
[8] Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), në një Hadith të gjatë që flet për Ditën e Kijametit, ndër tjerash ka thënë:
“Pasi që Allahu mbaron Gjykimin ndërmjet njerëzve, shfaqet dhe dëshiron të nxjerrë me Mëshirën e Tij kë të dojë prej banorëve të Zjarrit. Ai urdhëron melekët që të nxjerrin nga Zjarri ata që nuk i bënin shok Allahut, të cilët Ai do që t’i nxjerrë me Mëshirën e Tij, prej atyre të cilëve dëshmonin se nuk ka Zot e të adhuruar tjetër përveç Allahut. Ata do të dallohen në Zjarr prej shenjave të sexhdes, sepse Zjarri ha prej trupit të njeriut, çdo pjesë përveç gjurmëve të sexhdes. Allahu ia ka ndaluar Zjarrit të hajë gjurmët e sexhdes…”
[9] Me këtë kundërshtim është për qëllim çështja e atij që e lë faljen, por nuk e mohon obligueshmërinë e saj, sepse ai që e mohon atë, është kafir, unanimisht te të gjithë dijetarët. Këtë gjë e tregon edhe fjala e mëpasshme e autorit, në paraqitjen e argumenteve të atyre që nuk e quajnë atë kafir dhe se argumenti i tyre është të komentuarit e Hadithit që thotë se lënësi i namazit është kafir, se qëllimi është për atë që e lë namazin duke e mohuar obligueshmërinë e tij.
[10] E transmeton Muslimi nga Xhabir ibën Abdullah, por vetëm fjalinë e parë, ndërsa pjesa e dytë (kush e lë faljen, ka bërë kufër) është transmetuar në Sunen et Tirmidhi me shprehjen: “Dallimi ndërmjet nesh dhe atyre është falja dhe ai që e lë atë, ka bërë kufër.” E ka transmetuar gjithashtu imam Ahmedi në Musned.
[11] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[12] E ka nxjerrë imam Ahmedi.